© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
SEKSIONI I PESTE
ÇËSHTJA LAVRECHOV kundër REPUBLIKËS ÇEKE
(Kërkesë no 57404/08)
VENDIM
STRASBURG
20 juin 2013
Ky vendim do të bëhet përfundimtar në kushtet e përcaktuara në nenin 44 § 2 të konventës. Ai mund të pësojë vetëm përmirësime në formë.
Në çështjen Lavrechov kundër Republikës çeke,
Gjykata evropiane e të drejtave të njeriut (seksioni i pestë), që u mblodh në një dhomë të përbërë nga :
Mark Villiger, kryetar
Angelika Nußberger,
Boštjan M. Zupančič,
Ganna Yudkivska,
André Potocki,
Paul Lemmens,
Aleš Pejchal, gjyqtarë,
dhe nga Claudia Westerdiek, sekretare e seksionit,
Pasi diskutoi në dhomën e këshillit të 21 majit 2013, dha vendimin e mëposhtëm, të miratuar në këtë datë :
PROCEDURA
1. Kjo çështje nis me një kërkesë (no 57404/08) drejtuar kundër Republikës Çeke, kur një shtetas rus Z. Evgueni Lavrechov (« kërkuesi »), iu drejtua Gjykatës në 18 nëntor 2008 sipas nenit 34 të Konventës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore (“Konventa”).
2. Kërkuesi është përfaqësuar nga Mjeshtri R. Rozmánek, avokat në Olomuk. Qeveria çeke (« Qeveria ») është përfaqësuar nga Z.Vít A. Schorm, i Ministrisë së Drejtësisë.
3. Kërkuesi pretendonte veçanërisht se konfiskimi i garancisë pasurore të paguar nga ai ka çuar në shkeljen e të drejtave pasurore.
4. Në 27 mars 2012, kërkesa i është komunikuar Qeverisë. Qeverisë ruse i është kërkuar të tregojë nëse dëshiron të parashtrojë vërejtjet e saj me shkrim mbi çështjen (neni 36 i rregullores të Gjykatës). Ajo nuk ka përfituar nga kjo mundësi.
PËRSHKRIMI I FAKTIT
I. RRETHANAT E RASTIT
5. Kërkuesi ka lindur në 1952 dhe banon në Udomlya (Rusi).
6. Ai ka qenë përfaqësues i shoqërisë ruse T., e cila ishte aksionere në shoqërinë çeke S. Në 8 gusht 1995, kërkuesi hyri në këshillin administrativ të shoqërisë S., dhe në 27 shkurt 1996 u bë kryetar i këtij këshilli. Nga 24 shtator deri në 3 dhjetor 1996, ai u pengua të ushtronte kompetencat e tij, sepse ishte mënjanuar ilegalisht nga këshilli administrativ nga anëtarët çekë të këshillit. Më pas shoqëria S, u kthye në një shoqëri me paaftësi paguese
7. Në 11 qershor 2001, kërkuesi u akuzua për shfrytëzim të informacioneve jopublike për përfitime personale dhe mashtrim. Ai u akuzua veçanërisht se kishte lidhur kontrata jo të favorshme për shoqërinë S. dhe se i kishte shkaktuar një dëm material prej 88 milion koronash çeke (CZK) (3 520 000 euro (EUR)). Në 20 qershor 2001, ai u vendos në paraburgim.
8. Në 8 janar 2002, kërkuesi kërkoi të përfitonte nga lirimi me garanci pasurore dhe propozoi të paguante për këtë qëllim shumën prej 4 milion CZK (160 000 EUR). Kërkesa përmbante një deklaratë me anë të së cilës ai thoshte se ishte njohur me përmbajtjen e nenit 73 § 3 të kodit të procedurës penale i cili përcaktonte kushtet që mund të justifikonin konfiskimin e garancisë pasurore. Në 17 janar 2002, gjykata e rrethit të Ostravas pranoi ta lironte kërkuesin kundrejt pagesës së një garancie pasurore prej 10 milionë CZK (400 000 EUR). Gjykata e justifikoi shumën e garancisë pasurore me akuzat e rënda e të jashtëzakonshme që rëndonin mbi të interesuarin dhe me arsyet e forta që më parë kishin çuar në ndalimin e tij, veçanërisht risku i lartë se mos arratisej.
9. Në 31 janar 2002, kërkuesi autorizoi avokatin e tij të paguante shumën e garancisë pasurore të caktuar nga gjykata. Nga ana tjetër ai u zotua të qëndrojë në adresën në Republikën çeke, të paraqitej në seancat që do të mbaheshin për çështjen e tij dhe deklaroi se ishte informuar që garancia pasurore e paguar do të konfiskohej nëse ai nuk i respektonte këto kushte. Në 22 shkurt 2002, ai u lirua. Një nga kushtet e formuluara shprehimisht e detyronte të mos ndërronte adresë në Republikën çeke dhe ta merrte postën aty.
10. Në 7 qershor 2000, gjykata e rrethit e lejoi kërkuesin të largohej nga Republika çeke për të shkuar në Rusi deri në 18 qershor 2002 me kusht që të paraqitej në seancën e parë që ishte parashikuar të mbahej në 19-21 qershor 2002. Ishte hera e katërt që gjykata merrte një kërkesë të tillë nga kërkuesi. Në fakt, i interesuari kishte kryer më parë tri udhëtime në Rusi, nga shkurti në qershor 2002, dhe gjithmonë ishte kthyer.
11. Në 17 qershor 2002, kërkuesi e informoi avokatin e vet se pasaportën e tij që kishte një vizë hyrëse në Republikën çeke ia kishin vjedhur në Moskë në 14 qershor dhe se duhej të nxirrte një të re. Gjykata vendosi për rrjedhojë që seanca të mbahej nga 7 deri në 9 gusht 2002.
12. Në adresën e kërkuesit të vendosur në Republikën çeke u dërgua një fletëthirrje për t’u paraqitur në seancën e ardhshme por ajo u kthye mbrapsht te dërguesi pa u dorëzuar. Gjykata e rrethit u përpoq gjithashtu ta njoftonte të interesuarin për këtë thirrje përmes avokatit të tij.
13. Në 8 korrik 2002, avokati i drejtoi gjykatës së rrethit një numër të caktuar dokumentesh midis të cilave edhe një konfirmim të autoriteteve ruse se adresa e kërkuesit e regjistruar zyrtarisht në Rusi ndodhej në Udomlya.
14. Në 30 korrik 2002, avokati e informoi gjykatën e rrethit se nuk i kishte koordinatat direkte të kërkuesit në Rusi dhe se e kishte dërguar fletëthirrjen në adresën e një të bashkakuzuari të të interesuarit.
15. Meqë kërkuesi nuk e kishte marrë pasaportën e re dhe kishte thënë që seanca të mbahej në mungesë të tij, seanca e parashikuar për 7-9 gusht 2002 u anulua.
16. Në 12 mars 2003, gjykata e rrethit, e cila nuk kishte marrë asnjë informacion nga kërkuesi, iu drejtua Interpolit dhe përfaqësisë tregtare të Federatës së Rusisë në Republikën çeke për të marrë vesh nëse kërkuesi kishte kërkuar një pasaportë.
17. Palët s’bien dakord lidhur me datën në të cilën kërkuesi është pajisur me një pasaportë të re nga autoritet ruse : Qeveria jep datën 28 shkurt 2003, ndërsa i interesuari pohon se nuk e ka marrë pasaportën para datës 2 prill 2003. Ky i fundit gjithsesi nuk e ka informuar gjykatën e rrethit se e kishte marrë pasaportën e re.
18. Gjykata e rrethit programoi një seancë të re për në 6-8 shtator 2004. Në 22 mars 2004, ajo thirri kërkuesin përmes ministrisë së drejtësisë, në një adresë që ndodhej në qytetin Podolsk, që tregohej në dosje si vendqëndrimi i të interesuarit në Rusi. Gjykata e informoi gjithashtu kërkuesin se fakti që ai nuk kishte kërkuar vizë pranë Republikës çeke, që kishte qëndruar në Rusi dhe nuk kishte ruajtur kontaktet me gjykatën, ishte e papajtueshme me kushtet që shoqëronin lirimin e tij me garanci pasurore dhe mund të konsiderohej si mënyrë për t’iu shmangur ndjekjeve penale prandaj rrezikonte të përfundonte me konfiskimin e shumës së depozituar si garanci pasurore. Përveç kësaj, i interesuari u lajmërua se rrezikonte të gjykohej në mungesë.
19. Ministria ruse e Drejtësisë i informoi autoritet çeke se kërkuesi nuk ishte i regjistruar dhe nuk banonte në adresën e Podolsk-it, dhe se vendqëndrimi i tij për momentit nuk mund të përcaktohej. Ishte e pamundur, për rrjedhojë, t’i dorëzohej thirrja për t’u paraqitur.
20. Kërkuesi gjithsesi ishte në dijeni për seancën e programuar dhe mori një vizë afatshkurtër që e lejonte të shkonte në Republikën çeke dhe të qëndronte aty nga 2 deri në 12 shtator 2004.
21. Në 2 shtator 2004, ai dërgoi gjithsesi në gjykatën e rrethit një faks që kërkonte shtyrjen e seancës. Ai njoftoi se kishte probleme shëndeti, pa saktësuar natyrën e problemit dhe deklaronte se tash e tutje kishte marrë avokatë të rinj, të cilëve u duhej kohë që të studionin dosjen. Ai nuk e tregonte adresën e tij në Rusi. Gjykata e rrethit pra, u detyrua ta shtyjë procesin edhe një herë.
22. Në 28 shkurt 2005, gjykata e rrethit iu drejtua Ministrisë së Drejtësisë që t’u kërkonte autoriteteve ruse t’i dorëzonin kërkuesit, në adresën që ndodhej në Podolsk ose në Udomlya, një thirrje për t’u paraqitur në një seancë të programuar për 21-23 nëntor 2005. Por, njoftimi iu dërgua kërkuesit në 16 janar 2006, në Udomlya. Në 21 nëntor 2005, gjykata e rrethit e anuloi përsëri seancën.
23. Në 6 dhjetor 2005, gjykata e rrethit vendos të gjykojë kërkuesin në mungesë. Ajo deklaroi se i interesuari i ishte shmangur ndjekjeve penale duke qëndruar jashtë shtetit, nuk ishte kthyer në Republikën çeke qysh në qershor 2002 dhe e kishte ndërlikuar seriozisht zhvillimin e procesit duke qëndruar në Rusi. Nga ana tjetër, gjykata e çmoi plotësisht të papërshtatshme justifikimin e dhënë nga kërkuesi - d.m.th. problemin e shëndetit- për t’iu shmangur seancës së 2 shtatorit 2004. Përveç kësaj, ajo vuri në dukje se i interesuari nuk respektonte kushtet që shoqëronin lirimin e tij me garanci pasurore, kushte të pranuara prej tij, d.m.th. angazhimin e tij për t’u paraqitur në seanca dhe për të mos u larguar nga banesa në Republikën çeke.
24. Nga 27 deri në 29 mars, nga 5 deri në 7 qershor, si dhe në 11 shtatori dhe në 23 tetor 2006, gjykata e rrethit mbajti seanca të procedurës në mungesë të drejtuara kundër kërkuesit.
25. Në 23 tetor 2006, gjykata e rrethit shpalli pafajësinë e të akuzuarit duke vlerësuar se i interesuari nuk kishte kryer asnjë shkelje penale por ishte marrë thjesht me aktivitete tregtare të zakonshme dhe transparente.
26. Në 28 qershor 2007, Gjykata e lartë e Olomouc e konfirmoi këtë vendim.
27. Në 1 nëntor 2007, gjykata e rrethit, me kërkesë të kërkuesit, vendosi se garancia pasurore do t’i kthehej atij me arsyen se ai nuk ka qenë i informuar si duhet për pasojat që mund të rridhnin nga mosrespektimi i kushteve që shoqërojnë lirimin e tij me garanci pasurore. Për më tepër, sipas gjykatës së rrethit, asnjë nga situatat e parashikuara në nenin 73 a) § 4 të kodit të procedurës penale që mund të justifikonte konfiskimin e garancisë pasurore, nuk mund të zbatohej.
28. Në 5 dhjetor 2007, gjykata e lartë e rrëzoi këtë vendim dhe vendosi që garancia pasurore të konfiskohej. Ajo çmoi se kërkuesi me siguri ishte në dijeni të një konfiskimi eventual edhe pse nuk ka qenë njoftuar zyrtarisht, meqë kërkesat e tij për lënien të lirë me garanci përmbajnë deklarata sipas të cilave ai e dinte se garancia pasurore mund të mbahej në rastin e mosrespektimit të kushteve të vendosura. Gjykata e lartë pranoi se për një farë kohe i interesuari nuk kishte mundur të kthehej në Republikën çeke sepse kishte humbur pasaportën dhe se autoritetet çeke ia kishin dhënë me vonesë vizën e re. Ajo vuri në dukje sidoqoftë se kërkuesi nuk e kishte marrë postën në adresën e Podolskut, d.m.th. në një nga adresat e komunikuara në prokurori, dhe se kështu letrat e gjykatës nuk i ishin dorëzuar në kohë. Nga ana tjetër, sipas gjykatës së lartë dilte qartë nga sjellja e të interesuarit se ky i fundit i ishte shmangur ndjekjes penale duke qëndruar jashtë shtetit ; ai nuk kishte qëndruar në kontakt me gjykatën e rrethit ndërkohë që kishte dijeni për procedurën. Gjykata e lartë vendosi që kushtet e konfiskimit të garancisë pasurore bazuar në nenin 73 a) § 4 të kodit të procedurës penale përmbusheshin : në veçanti, kërkuesi ishte fshehur, nuk kishte njoftuar autoritetet e interesuara për vendqëndrimin si dhe kishte penguar dorëzimin e një letre zyrtare.
29. Kërkuesi e kundërshtoi këtë vendim me një ankim në gjykatën kushtetuese, duke pretenduar se ishte e padrejtë t’i konfiskohej një shumë aq e madhe ndërkohë që ai nuk kishte bërë asnjë shkelje penale. Përveç kësaj ai kontestoi përfundimet e gjykatës së lartë.
30. Në 3 qershor 2008, Gjykata kushtetuese e hodhi poshtë ankimin si haptazi të pabazuar.
II. E DREJTA E BRENDSHME PËRKATËSE
31. Neni 73 a) §§ 1 dhe 2 i kodit të procedurës penale parashikon se një person në paraburgim mund të përfitojë një lirim me garanci pasurore duke paguar një shumë minimumi prej 10 000 CZK, meqë shuma efektive përcaktohet nga gjykata në varësi të rrethanave të të akuzuarit dhe të rastit.
32. Paragrafi 4 (paragrafi 3 në kohën e fakteve) i kësaj dispozite parashikon konfiskimin e garancisë pasurore, veçanërisht nëse i pandehuri arratiset, fshihet ose nuk informon autoritetet kompetente për një ndryshim vendqëndrimi, duke penguar kështu dorëzimin e një letre zyrtare. Sipas paragrafit 9 (paragrafi 6 në kohën e fakteve), i pandehuri duhet informuar më parë për kushtet në të cilat garancia e tij pasurore mund të konfiskohet.
PËRSHKRIMI I SË DREJTËS
I. MBI SHKELJEN E PRETENDUAR TË NENIT 1 TË PROOKOLLIT No 1
33. Kërkuesi pretendon se konfiskimi i garancisë pasurore pas shpalljes së pafajësisë ka sjellë si pasojë shkeljen e nenit 1 të Protokollit no 1, i cili është formuluar kështu :
« Çdo person fizik ose moral gëzon të drejtën e respektimit të pasurive të tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij përveçse për arsye të interesit publik dhe në përputhje me ligjin dhe parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare
Dispozitat e mëparshme nuk e cenojnë të drejtën që kanë shtetet për të vënë në fuqi ligje që i quajnë të nevojshme për të rregulluar përdorimin e pasurive sipas interesit të përgjithshëm me qëllim që të sigurojnë pagimin e taksave ose kontributeve të tjera apo gjobave. »
A. Mbi pranueshmërinë
34. Duke konstatuar se kjo ankesë nuk është e pabazuar sipas nenit 35 § 3 a) të Konventës dhe nuk bie ndesh me asnjë arsye tjetër të mospranimit, Gjykata e deklaroi të pranueshme.
B. Mbi themelin
1. Argumente të palëve
35. Kërkuesi çmon së pari se konfiskimi i garancisë pasurore ishte i paligjshëm, pasi ai nuk ka qenë i informuar si duhet për mundësinë e kësaj mase. Ai pretendon se nuk është fshehur dhe se fakti se gjykata e rrethit nuk ia ka dorëzuar postën në adresën e saktë në Rusi- në atë të Udomlyas-, nuk mund t’i ngarkohet atij. Sipas tij, ai kishte arsye objektive për të mos u paraqitur, veçanërisht humbjen e pasaportës, moslëshimin e një vize dhe sëmundjen.
36. Nga ana tjetër, ai pretendon se vendimi i gjykatës së lartë për të konfiskuar një garanci pasurore me një shumë kaq të lartë është një masë e joprorcionale. Si rregull i përgjithshëm, objekti i garancisë pasurore do të ishte ta pengonte autorin e një shkeljeje që të shmangte sanksionin dhe të kujdesej që objektivi i procedurës penale të përmbushej. Në sytë e kërkuesit, procedura penale është zhvilluar si duhet, pavarësisht mungesës së tij, dhe objektivi i kësaj procedure është arritur. Konfiskimi i garancisë pasurore, pra, do të ishte një cenim i papërshtatshëm i pasurisë së tij, edhe sikur të mendohej se ai ka shkelur kushtet e lirimit me garanci pasurore.
37. Së fundi, kërkuesi mendon se konfiskimi i një garancie pasurore ndërkohë që është shpallur i pafajshëm, pra që i është njohur pafajësia, është një masë e padrejtë që bie ndesh me logjikën.
38. Qeveria çmon se sipas saj ankesa është dukshëm e pabazuar. Sipas saj, ndërhyrja duhet vlerësuar në dritën e paragrafit të dytë të nenit 1 të Protokollit no 1, që ka të bëjë me rregulloren e përdorimit të pasurive. Për më tepër, konfiskimi ashtu si është vendosur nga gjykatat kombëtare do të ishte i ligjshëm.
39. Për Qeverinë, gjykata e rrethit ka bërë shumë përpjekje, për afërsisht katër vjet, me qëllim që të lajmërojë kërkuesin të paraqitet në gjyq. Gjatë gjithë kësaj periudhe, i interesuari kishte paraqitur në gjykatë një numër të caktuar dokumentesh, por asnjëri nuk përmbante informacione mbi një adresë të re në të cilën duheshin dërguar aktet e procedurës. Megjithëse mungesa e kërkuesit në seancën e parë të 19 qershorit 2002 ishte lejuar sipas rregullave, qëndrimi i mëpasshëm i të interesuarit ndaj procedurës penale ka treguar qartë qëllimin e tij për t’iu shmangur asaj duke qëndruar jashtë shtetit, gjë të cilën në fakt ai e ka arritur, meqë gjykata e rrethit ka qenë e detyruar ta gjykojë në mungesë. Për shumë viteve, kërkuesi ka pasur gjithë kohën e mjaftueshme për të marrë kontakte direkte me gjykatën e rrethit, për t’i saktësuar adresën në Rusi ku do t’i komunikoheshin aktet e procedurës dhe ku do t’i propozohej një datë kur ai mund të shkonte në Republikën Çeke për të marrë pjesë në seancë ; mirëpo ai s’ka bërë asgjë të tillë.
40. Qeveria mendon madje se nuk ka një lidhje direkte midis shpalljes së pafajësisë dhe konfiskimit të një garancie pasurore, dhe se qëllimi i një garancie pasurore është të zëvendësojë burgimin dhe në të njëjtën kohë mos ta lejojë personin të pengojë procedurën penale ose t’i shmanget asaj. Sipas saj, nëse i interesuari nuk u bindet kushteve që shoqërojnë lirimin e tij me garanci pasurore, rrjedhoja logjike e një sjelljeje të tillë është konfiskimi i garancisë që në këtë rast përbën një privim të ligjshëm të pronës. Fakti që i pandehuri më në fund është shpallur i pafajshëm nuk do ta vinte aspak në pikëpyetje ligjshmërinë e arrestit. Qëllimi i garancisë pasurore dhe ai i sanksionit janë dy gjëra të ndryshme. Qeveria shton se garancia pasurore kthehet nëse kushtet e parashikuara nga ligji përmbushen. Garancia pasurore nuk është sanksion për shkeljen e kryer, por një formë garancie.
41. Shuma e garancisë pasurore është në proporcion me situatën pasurore të kërkuesit, gjë që tregon qartas faktin se i interesuari ka qenë në gjendje ta paguajë. Garancia pasurore, mjet për të siguruar bashkëpunimin e një të pandehuri me autoritetet penale, caktohet qëllimisht në një nivel të tillë që humbja e saj të përbëjë një cenim të rëndësishëm për gjendjen pasurore të personit që ka depozituar shumën. Nëse nuk ndodh kështu, garancia pasurore nuk e përmbush qëllimin e saj.
42. Së fundi, Qeveria vë në dukje se kërkuesi nuk e ka saktësuar se pse ekzaktësisht konfiskimi i garacisë pasurore do ta rëndonte barrën e tij financiare. I interesuari nuk e kishte mbështetur aspak me dokumente pohimin sipas të cilit ai gjendej në një gjendje financiare të vështirë.
2. Vlerësimi i Gjykatës
43. Së pari, Gjykata çmon se konfiskimi i garancisë përbën një cenim të të drejtave pasurore të kërkuesit nga ana e shtetit. Ajo nuk e quan të domosdoshme ta shqyrtojë këtë cenim në këndvështrimin e paragrafit të dytë të nenit 1 të Protokollit no 1, siç e mendon Qeveria, sepse sidoqoftë tri normat që përmban neni 1 i Protokollit no 1 janë të lidhura dhe parimet e zbatueshme janë të ngjashme (James dhe të tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar, 21 shkurt 1986, § 37, seria A no 98). Gjykata do ta shqyrtojë situatën e kontestuar në dritën e normës së përgjithshme të shprehur në frazën e paragrafit të parë të nenit 1 të Protokollit no 1 (shih, mutatis mutandis, Broniowski kundër Polonisë [GC], no 31443/96, § 136, CEDH 2004‑V, dhe Gladysheva kundër Rusisë, no 7097/10, § 71, 6 dhjetor 2011).
44. Gjykata kujton se për të qenë në pajtueshmëri me këtë dispozitë, një ndërhyrje duhet të jetë e ligjshme, t’i përshtatet interesit të përgjithshëm dhe të jetë proporcionale, d.m.th. të ruajë një « ekuilibër të drejtë » midis kërkesave të interesit të përgjithshëm të komunitetit dhe detyrimeve për mbrojtjen e të drejtave themelore të individit (shih, përmes shumë të tjerave, Beyeler kundër Italisë [GC], no 33202/96, § 107, GJEDNJ 2000‑I, dhe Gladysheva, i lartpërmendur§ 65). Për të vlerësuar proporcionalitetin e ndërhyrjes, Gjykata duhet të mbajë parasysh, nga njëra anë, rëndësinë e qëllimit të ndjekur, dhe, nga ana tjetër detyrimin që i është i imponuar kërkuesit, veçanërisht natyra e ndërhyrjes, sjellja e kërkuesit dhe ajo e autoriteteve të shtetit (Yildirim kundër Italisë (vend.), no 38602/02, GJEDNJ 2003-IV, dhe Forminster Enterprises Limited kundër Republikës çeke, no 38238/04, § 75, 9 tetor 2008).
45. Për sa i përket kërkesës për « ligjshmëri », Gjykata vëren së pari se asgjë në këtë çështje nuk tregon se gjykata e lartë ka zbatuar dispozitat ligjore në fjalë- veçanërisht nenin 73 a) § 3 të kodit të procedurës penale- në mënyrë të gabuar ose arbitrare. Po kështu, asgjë nuk të bën të mendosh se dispozitat përkatëse nuk ishin të kuptueshme, të sakta dhe të parashikueshme (Beyeler, i lartpërmendur, §§ 108-109). Pra, konfiskimi i garancisë pasurore ka plotësuar kërkesën për ligjshmëri.
46. Gjykata mendon madje se konfiskimi ndiqte një qëllim të ligjshëm që konsistonte në garantimin e zhvillimit të mirë të procedurës penale dhe, në mënyrë më të përgjithshme, synonte të luftonte dhe të parandalonte shkeljet penale, çka ka të bëjë pa diskutim me interesin e përgjithshëm të parashikuar në nenin 1 të Protokollit no 1 (Yildirim, vendim i lartcituar, dhe Denisova dhe Moiseyeva kundër Rusisë, no 16903/03, § 58, 1 prill 2010). Ajo çmon se nga ana tjetër ky interes merr një rëndësi krejt të veçantë.
47. Për sa i përket kriterit të proporcionalitetit, Gjykata vëren së pari se një garanci pasurore afërsisht 400 000 EUR është një shumë e konsiderueshme. Megjithatë, momenti i përshtatshëm për të diskutuar proporcionalitetin e shumës së një garancie është momenti i caktimit të saj (si në Mangouras kundër Spanjës [GC], no12050/04, §§ 78 dhe 80, GJEDNJ 2010) dhe jo momenti i konfiskimit. Në këtë rast, kërkuesi nuk pretendon se garancia pasurore fillestare ishte një shumë e ekzagjeruar, dhe Gjykata konstaton madje se ai me sa duket e ka paguar shpejt dhe pa ndonjë vështirësi të madhe këtë shumë.
48. Pyetja kryesore që shtrohet në këtë çështje është të dihet nëse shpallja e pafajësisë duhet të luajë rol në vendimin për të konfiskuar garancinë pasurore. Në këtë kontekst, Gjykata vëren se garancia pasurore ka si qëllim të garantojë zhvillimin si duhet të procedurës penale, veçanërisht të sigurojë paraqitjen e të pandehurit në seancë (shih, në kontekstin e caktimit fillestar të shumës së garancisë pasurore, Mangouras, i lartpërmendur, § 78).
49. Por zhvillimi i mirë i procedurës penale është penguar shumë nga fakti që kërkuesi nuk ka respektuar kushtet që shoqërojnë lirimin e tij me garanci pasurore. I interesuari nuk është paraqitur në asnjë nga seancat e programuara dhe nuk i ka dhënë asnjë ndihmë gjykatës, ndërkohë që e dinte me siguri se kishte shkelur kushtet e vendosura. Seancat u anuluan shumë herë radhazi dhe për pasojë procedura është zgjatur ndjeshëm dhe përpjekjet e gjykatës së rrethit për të dorëzuar disa dokumente kërkuesit kanë hasur vështirësi serioze.
50. Është mirë të vëmë në dukje përveç kësaj se shpallja më pas e pafajësisë së të interesuarit nuk do të thotë në vetvete se ndjekja penale kundër tij ishte e paligjshme ose vuante automatikisht nga të meta të tjera. Kërkohen nivele të ndryshme provash për një dënim (zakonisht, prova përtej çdo dyshimi të arsyeshëm) dhe për ndjekje penale (zakonisht, një dyshim i arsyeshëm sipas të cilit ka pasur shkelje penale). Pra, mund të ndodhë që një dyshim i arsyeshëm të mos përfundojë në fund të procesit, me një dënim përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Në një situatë të tillë, shteti tregon gjithsesi një interes të përligjur me qëllim që procedura të zhvillohet si duhet dhe që individi për të cilin kemi arsye të pranueshme për të dyshuar se ka kryer një vepër penale, të mos tentojë t’i shmanget drejtësisë ose të sabotojë mbarëvajtjen e procedurës gjatë së cilës duhet gjykuar fajësia ose pafajësia e tij.
51. Përfundimi i procedurës, pra, nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me çështjen e konfiskimit të garancisë pasurore. Bëhet fjalë më tepër për të përcaktuar nëse kjo masë ishte proporcionale, po të marrim parasysh faktin se kushtet e lirimit me garanci pasurore ishin shkelur gjatë procedurës.
52. Gjykata vëren se garancia pasurore në këtë rast nuk është konfiskuar për shkak të pamundësisë për t’i dorëzuar një dokument të vetëm kërkuesit. Gjyakata e lartë ka vendosur se i interesuari i ishte shmangur ndjekjes penale duke qëndruar jashtë shtetit për shumë vjet. Gjykata çmon se kërkuesi në fillim mund të ketë pasur arsye objektive për të mos u paraqitur në seanca por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për periudhën që pasoi marrjen e pasaportës së re.
53. I interesuari ka pasur mjaftueshëm kohë për t’u paraqitur gjatë procesit. Seancat kanë qenë planifikuar nga e para shumë herë. Kërkuesi e ka marrë pasaportën në prill 2003, sipas versionit të tij të fakteve dhe vendimi për ta gjykuar në mungesë nuk është marrë veçse në dhjetor 2005. Pra, ai ka pasur të paktën dy vjet dhe tetë muaj për të marrë kontakt me gjykatën e rrethit, me qëllim që t’i lejonte asaj të caktonte seancën në një datë kur ai mund të kthehej në Republikën çeke. Për rrjedhojë, vendimi i gjykatës së lartë sipas së cilit kërkuesi ka treguar me selljen e tij se i është shmangur procesit, nuk duket i pajustifikuar.
54. Në këto rrethana- d.m.th. fakti se kërkuesi ishte sigurisht i ndërgjegjshëm se ka shkelur kushtet e lirimit të tij me garanci pasurore gjatë një periudhe të gjatë- ishte detyrë e të interesuarit t’i tregonte gjykatës së rrethit, qartas dhe pa ekuivok, adresën e tij në Rusi dhe të mbante kontakte të rregullta me këtë gjykatë me qëllim që të lehtësonte vështirësitë e dorëzimit të dokumenteve zyrtare në Rusi, vështirësi që duhen shqyrtuar në këndvështrimin e Konventës evropiane të ndihmës reciproke gjyqësore në fushën penale. Por kërkuesi nuk ka bërë asgjë nga këto. Letra e avokatit të tij në datën 8 korrik 2002 nuk mund të konsiderohej si e mjafueshme në këto kushte, sepse ajo tregonte thjesht vendin që i korrespondonte adresës zyrtare të të interesuarit në Rusi, por aspak adresën në të cilën ai dëshironte t’i dorëzohej posta. Përveç kësaj, në 2 shtator 2004 kërkuesi e ka informuar gjykatën se ai e kishte të pamundur të paraqitej në seancë, pasi vuante nga probleme shëndeti dhe se ai kishte avokatë të rinj, por edhe me këtë ai ka neglizhuar dhe nuk ka komunikuar një adresë për fletëthirrjet në Rusi.
55. Së fundi, Gjykata shton se konfiskimi – ndërhyrja e kontestuar – është rezultat i një procedure plotësisht kontradiktore, gjatë së cilës kërkuesi ka qenë i lirë të paraqesë argumente. Gjykatat kombëtare kanë shqyrtuar çështjet përkatëse me kujdes dhe kanë arsyetuar vendimet e tyre në mënyrë shteruese. G. kundër Allemagne (vend.), no 10577/83, 6 maj 1985). Kërkesat procedurale që rrjedhin nga neni 1 i Protokolllit no 1 (AGOSI kundër Mbretërisë, 24 tetor 1986 § 55, seria A no 108) janë përmbushur.
56. Duke pasur parasysh konsideratat e mësipërme, Gjykata çmon se konfiskimi i garancisë pasurore ka vendosur një « ekuilibër të drejtë » midis kërkesave të interesit të përgjithshëm të bashkësisë dhe kërkesave që lidhen me të drejtën e kërkuesit në rrethanat e rastit.
57. Për rrjedhojë, nuk ka pasur shkelje të nenit 1 të Protokollit no 1.
II. MBI SHKELJEN E PRETENDUAR TË NENIT 6 TË KONVENTËS
58. Duke iu referuar nenit 6 të Konventës, kërkuesi kundërshton vendimet e brendshme që lidhen me garancinë pasurore dhe pretendon se ato nuk janë të arsyetuara sa duhet.
59. Duke marrë parasysh tërësinë e elementeve që zotëron dhe meqë çështjet e kontestuara janë kompetencë e saj, Gjykata çmon se ato nuk zbulojnë asnjë shkelje të të drejtave dhe lirive të shprehura në Konventë ose në Protokollet e saj. Për rrjedhojë, kjo ankesë është dukshëm e pabazuar dhe duhet hedhur poshtë në zbatim të nenit 35 §§ 3 a) dhe 4 të Konventës.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Deklaron, unanimisht, ankesën e bazuar në nenin 1 të Protokollit no 1 të pranueshme dhe pjesën e mbetur të kërkesës, të papranueshme;
2. Thotë me gjashtë vota pro dhe një kundër, se nuk ka pasur shkelje të nenit 1 të Protokollit no 1.
Bërë në anglisht, pastaj komunikuar me shkrim në 20 qershor 2013, në zbatim të nenit 77 §§ 2 dhe 3 të rregullores.
Claudia WesterdiekMark Villiger
SekretarKryetar
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të rregullores së Gjykatës, mendimi në pakicë i gjyqtarit Pejchal
M.V.
C.W.
Mendimet e pakicës nuk janë përkthyer, por ato gjenden në anglishtdhe/ose në frëngjisht në versionet zyrtare të gjykimit, dhe mund të lexohen në bazën e të dhënave të Gjykatës HUDOC
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy