LAZOROVSKI kundër ISH-REPUBLIKËS JUGOSLLAVE TË MAQEDONISË
(kërkesa nr. 4922/04)
8 tetor 2009
mbajtje e paligjshme në polici
I. Faktet kryesore
1. Kërkuesi, Jovče Lazoroski, është një shtetas i FYROM-it i lindur në vitin 1973 dhe që jeton në Kičevo.
2. Më 6 gusht 2003, një oficer i lartë në Shërbimin Inteligjent dha një urdhër me shkrim për arrestimin e kërkuesit mbi dyshimet se ai ishte i armatosur dhe se mund të arratisej nga Shteti. Në orën 23.15 të së njëjtës ditë, z. Lazoroski u arrestua nga policia pranë Tabanovces, një pike kufitare me Serbinë. Ai u dërgua në stacionin e policisë të Tabanovces, ku u mbajt në gjendje arresti deri në orën 9 të mëngjesit të ditës pasardhëse.
3. Gjatë natës së kaluar në gjendje arresti, kërkuesi firmosi një raport ku ai refuzonte të drejtën e tij për t’u përfaqësuar nga një avokat. Edhe pse nuk ka asnjë dokument ku të jetë regjistruar ndonjë seancë marrjesh në pyetje, z. Lazoroski pretendoi se ai u pyet në lidhje me disa anëtarë të partisë së atëhershme opozitare dhe me disa gazetarë të mirënjohur.
4. Më 7 gusht 2003, z. Lazoroski e kundërshtoi ligjshmërinë e arrestimit të tij përpara Ministrisë së Brendshme dhe përpara një gjyqtari hetues në Gjykatën e Shkallës së Parë së Kumanovës. Më 26 janar 2005, gjyqtari hetues arriti në përfundimin se atij i ishte hequr në mënyrë të paligjshme liria mbi dyshimet për trafik armësh. Apelimi i zotit Lazoroski u hodh poshtë në shkurt 2005.
II. Vendimi i Gjykatës
5. Mbështetur veçanërisht në nenet 5 §§ 1, 2 dhe 3 dhe mbi nenin 6 § 1, z. Lazoroski u ankua se atë e kishin arrestuar në mënyrë të paligjshme, se nuk ishte informuar për arsyet e arrestimit e tij, se avokati i tij nuk ishte lejuar të merrte pjesë në seancën e marrjes së tij në pyetje, se arrestimi ishte kryer pa një urdhër gjykate dhe se ai nuk kishte pasur mundësi të merrte pjesë në mënyrë efektive në procedimet që kundërshtonin ligjshmërinë e arrestimit të tij, si edhe se këto procedime kishin qenë tepër të gjata.
A. Në lidhje me nenin 5
6. Gjykata vuri re se autoritetet e brendshme gjyqësore nuk kishin dhënë fare informacion mbi kundravajtjen për të cilën dyshohej zoti Lazoroski dhe as ndonjë provë që të vërtetonte përfshirjen e tij. Duke parë se nuk kishte asnjë dëshmi që të sugjeronte se ai ishte përfshirë në trafikun e armëve, Gjykata vendosi se mbajtja e tij në gjendje arresti nuk ishte bazuar mbi dyshime të arsyeshme dhe për rrjedhojë kishte qenë e pajustifikuar, një shkelje kjo e nenit 5 § 1 (c).
7. Për më tepër, asnjë prej raporteve të parashtruara nga Qeveria nuk tregonte se kërkuesi ishte informuar për arsyet e arrestimit të tij. Asnjë raport nuk ishte përpiluar në lidhje me marrjen e tij në pyetje teksa ishte në gjendje arresti dhe nuk kishte pasur asnjë provë tjetër që zotit Lazoroski i qenë shpjeguar arsyet për arrestimin e tij. Për këtë arsye, Gjykata vendosi se kishte pasur një shkelje të nenit 5 § 2.
B. Në lidhje me nenin 6
8. Në përfundim, për sa i përket pretendimit të zotit Lazoroski se ai nuk mundi të merrte pjesë në procedime, Gjykata vuri re se provat e paraqitura nga Ministria e Drejtësisë tek gjyqtari hetues, i cili do të vendoste mbi ligjshmërinë e mbajtjes në gjendje arresti, nuk i qenë treguar zotit Lazoroski. Për më tepër, ai nuk ishte ftuar për të marrë pjesë në seancën dëgjimore përpara gjyqtarit, që kishte vendosur mbi pretendimin e tij. Në këtë drejtim ankesat e tij u lanë pa përgjigje në apel. Për pasojë, Gjykata vendosi që zotin Lazoroski e kishin shmangur nga pjesëmarrja efektive në procedime, një shkelje kjo e nenit 6 § 1.
9. Gjykata konsideroi se procedimet përpara gjyqtarit hetues në lidhje me ligjshmërinë e mbajtjes së kërkuesit në gjendje arresti, gjë që kishte zgjatur një vit e gjysmë, nuk kishte qenë shumë e gjatë duke qenë se nuk kishte pasur nevojë për nxitim, meqë z. Lazoroski e kishin liruar përpara se të depozitonte padinë e tij.
10. Gjykata vendosi që ankesat e mbetura ishin të papranueshme dhe për rrjedhojë duheshin hedhur poshtë.
C. Në lidhje me nenin 41
11. Gjykata i caktoi kërkuesit 2 000 euro për dëm jopasuror dhe 180 euro për kostot dhe shpenzimet.
Full & Egal Universal Law Academy