Lazu kundër Republikës së Moldovës - 46182/08, Vendimi 5.7.2016 (Seksioni II) Faktet - Në vitin 2005, kërkuesi, shofer i një automjeti të blinduar banke, u akuzua për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor. Ai u shpall i pafajshëm nga gjykata e shkallës së parë për shkak se deklarimet e dëshmitarit ndaj tij nuk mund të konsideroheshin të besueshme. Megjithatë, ai më vonë u dënua nga gjykata e apelit. Në kërkesën e tij drejtuar Gjykatës Europiane, kërkuesi u ankua që procedimi penal ndaj tij nuk kishte qenë i drejtë pasi, në rastin e prishjes së pafajësisë së tij, gjykata e apelit nuk i kishte dëgjuar dëshmitarët dëshmia e të cilëve ishte përdorur për ta fajësuar atë, në shkelje të Nenit 6, par 1, të Konventës. Ligji – Neni 6, par 1: Gjykata qysh në fillim vuri re që deklarimet e dëshmitarëve dhe rëndësia që u ishte dhënë atyre kishte patur një ndikim vendimtar mbi vendimmarrjen mbi çështjen, pasi, përveç tyre, nuk ka patur prova të tjera që nga ana e tyre do të sillnin dënimin e kërkuesit. Gjykata e shkallës së parë i dha pafajësi kërkuesit pasi ajo nuk i besoi dëshmitarët pasi i dëgjoi ata personalisht. Gjatë rishqyrtimit të çështjes, gjykata e apelit nuk ra dakord me gjykatën e shkallës së parë në lidhje me besueshmërinë e deklarimeve të dëshmitarëve pa i dëgjuar fare dëshmitarët. Si rezultat, ajo e shpalli kërkuesin me faj sipas akuzës. Duke e bërë këtë, gjykata e apelit ka shkelur dispozitat përkatëse ligjore si dhe interpretimin e tyre të bërë nga praktika gjyqësore e brendshme, që parashikon që, me qëllim që një gjykatë apeli të dalë më vendim themeli për një çështje, është e nevojshme një shqyrtim i ri i provave. Për më tepër, gjykata e apelit nuk ka dhënë asnjë shkak për mosrespektimin e ligjit të brendshëm, dhe as shpjegoi se pse kishte dalë me një përfundim të ndryshëm nga ai i gjykatës së shkallës së parë. Së fundmi, duke patur parasysh se për çfarë bëhej fjalë për kërkuesin, çështjet që duhet të vendoseshin nga gjykata e apelit nuk mund të shqyrtoheshin si duhet pa një vlerësim të drejtpërdrejtë të provave të dhëna nga dëshmitarët e prokurorisë. Në dosjen e çështjes nuk ndodhej asgjë që të tregonte se kërkuesi kishte hequr dorë nga e drejta e tij për të ri-thirrur ndonjë nga dëshmitarët të ndryshëm nga viktima. Për më tepër, duke marrë pafajësinë në shkallë të parë dhe duke qenë në dijeni që për të dhënë fajësi gjykata e apelit duhej të ri-vlerësonte drejtpërdrejt provat e dosjes, kërkuesi nuk kishte ndonjë arsye të veçantë të thërriste dëshmitarët. Fajësimi i kërkuesit pa ri-marrë në pyetje ndonjë prej dëshmitarëve, pasi ai kishte marrë pafajësi nga gjykata e shkallës së parë, kishte shkelur garancitë e një gjykimi të drejtë. Përfundimi: shkelje (gjashtë vota me një) Neni 41: 2 000 EURO në lidhje me dëmin jo-financiar; rrëzohet pretendimi në lidhje me dëmin financiar .
Full & Egal Universal Law Academy