LOULED MASSOUD kundër MALTËS
(kërkesa nr. 24340/08)
27 korrik 2010
ndalimi i paligjshëm i një shtetasi algjerian në Maltë
1. Faktet kryesore
1. Kërkuesi, z. Louled Massoud, ishte shtetas algjerian i lindur në 1960.
2. Z. Louled Massoud kishte hyrë në Maltë nga Libia, me anije, në qershor të vitit 2006. Ai nuk kishte asnjë dokument me vete dhe u dërgua menjëherë në ambientet e policisë. Më pas ai u akuzua dhe u shpall fajtor nga Gjykata e Magjistratëve me akuzën se kishte ndihmuar persona të tjerë për të hyrë në Maltë. Ai u dënua me tetëmbëdhjetë muaj burg.
3. Më 17 prill 2007, ndërkohë që ishte në burg, kërkuesi aplikoi për azil dhe u intervistua në të njëjtën ditë. Pasi shleu dënimin dhe u lirua më 27 qershor 2007, z. Louled Massoud u vendos në një qendër ku mbaheshin personat në pritje të vendimit në lidhje me të kërkesën e tyre për azil. Kërkesa e tij për azil ishte refuzuar më 24 prill 2007. Ai e kundërshtoi këtë vendim por ankesa e tij u hodh poshtë, me argumentin se nuk kishte paraqitur dëshmi bindëse që do të përballej me rrezikun real të persekutimit, nëse kthehej në vendin e tij.
4. Z. Louled Massoud qëndroi i ndaluar, në pritje të dëbimit, sipas politikës së emigracionit të qeverisë, deri më 6 janar 2009, kur urdhri i tij largimi u shfuqizua duke pasur parasysh pamundësinë e dëbimit të tij eventual. Kërkuesi u ankua se kushtet në ambientet ku ishte mbajtur i ndaluar kishin qenë të papërshtatshme, të mbipopulluara, jo higjienike, me kujdes të kufizuar mjekësor, pa mundësi për aktivitete konstruktive dhe me mundësi të kufizuara rekreative.
II. Vendimi i Gjykatës
5. Z. Louled Massoud pretendoi se ishte trajtuar në mënyrë çnjerëzore dhe poshtëruese si pasojë e kushteve në të cilat mbahej i ndaluar, në shkelje të nenit 3 të Konventës. Ai deklaroi se, sistemi ligjor maltez, nuk kishte vënë në dispozicion të tij asnjë mjet ligjor të shpejtë dhe efikas, në kundërshtim me nenin 5 § 4. Më tej, kërkuesi u ankua se ndalimi i tij pas marrjes së vendimit në lidhje me kërkesën e tij për azil kishte qenë arbitrar dhe i paligjshëm, në shkelje të nenit 5 § 1. Së fundmi, z. Louled Massoud pohoi se, pasi ishte arrestuar në mbërritje, pas një udhëtimi të gjatë në det, ishte mbajtur i ndaluar pa u informuar rreth bazës ligjore dhe faktike, siç kërkohet nga neni 5 § 2 të Konventës.
A. Në lidhje me nenin 3
6. Kërkesa nuk u pranua pasi nuk ishin shteruar mjetet e brendshme ligjore, duke qenë se kërkuesi nuk kishte ngritur padi në lidhje me pretendimet sipas nenit 3 në gjykatat e brendshme kombëtare.
B. Në lidhje me nenin 5 § 4
7. Gjykata vlerësoi efektivitetin e çdo mjeti ekzistuese ligjor sipas së drejtës së brendshme malteze.
8. Në radhë të parë, Gjykata vërejti se, në bazë të nenit 409A të Kodit Penal, gjykatat të cilat kishin kompetencë për shqyrtimin e kërkesave i kishin të kufizuara këto kompetenca. Në veçanti, ata nuk mund të shqyrtonin rrethanat e tjera të cilat e bënin ndalimin të paligjshëm, të tilla si papajtueshmëria me të drejtat e mbrojtura nga Konventë, parimet e përgjithshme të mishëruara në të, dhe qëllimin e kufizimeve të nenit 5 § 1. Rrjedhimisht, Gjykata hodhi poshtë argumentin e Qeverisë se kërkuesi duhet t’i kishte përdorur këto mjete ligjore.
9. Gjykata më tej mori në analizë të drejtën e ankimit përpara Bordit të Ankesave për Migracionin (BAM). Ai vuri në dukje se dispozitat ligjore përkatëse e kufizonin lirimin nga paraburgimi në rastet kur identiteti i të paraburgosurit ishte verifikuar. Për më tepër, duke pasur parasysh se këto procedura zgjatën të paktën një muaj dhe se mund të zgjasnin tre muaj ose më shumë, Gjykata theksoi se ka pasur raste që vendimi nuk ishte dhënë akoma ndërkohë që personi ishte liruar, duke e bërë këtë procedurë pa ndonjë efekt ligjor në praktikë. Kështu, procedurat para BAM-it nuk mund të konsideroheshin se përmbushin kërkesat e një afati të shkurtër shqyrtimi, siç kërkohet nga neni 5 § 4.
10. Së fundi, përsa i përket ankimit kushtetues, Gjykata u shpreh se këto procedura ishin komplekse për qëllimet e neni 5 § 4 dhe paraqitja e një kërkese në kushtetuese nuk garantonte një rishikim të shpejtë të ligjshmërinë së ndalimit të kërkuesit.
11. Në përfundim, Gjykata u shpreh se z. Louled Massoud nuk kishte pasur në dispozicion të tij një mjet ligjor efektiv dhe të shpejtë, të parashikuar në të drejtën e brendshme për të kundërshtuar ligjshmërinë e ndalimit të tij. Për këtë arsye, Gjykata vendosi se kishte pasur shkelje të nenit 5 § 4.
C. Në lidhje me nenin 5 § 1
12. Periudha e ndalimit, për qëllimet të kërkesës, llogaritej nga 27 qershori i vitit 2007, data kur kërkuesi ishte vendosur në një qendër ndalimi, në pritje të shqyrtimit të kërkesës së tij për azil, deri në 6 janar 2009, kur ai u lirua. Pra, ajo zgjati tetëmbëdhjetë muaj dhe nëntë ditë. Gjykata duhet të vlerësonte nëse kjo ishte e tepërt dhe nëse autoritetet e kishin kryer procedurën e dëbimit me kujdesin e duhur.
13. Vonesa, pavarësisht se nuk ishte aq problematike sa në raste të tjera, nuk ka ardhur për shkak pritjes së vendimit të gjykatave, pasi vendimi në lidhje me kërkesën e tij për azil ishte marrë para ndalimit të tij. Edhe duke pasur parasysh se kërkuesi ishte pa dokumente, Gjykata konstatoi se Qeveria nuk e kishte ndjekur çështjen aktivisht dhe nuk kishte hyrë në negociata me autoritetet algjeriane për të përshpejtuar dërgimin e një dokumenti identiteti. Për më tepër, ishte e pamundur që autoritetet të mos kishin në dispozicion asnjë masë tjetër për të ndërmarrë përveç ndalimit të zgjatur të kërkuesit për të siguruar dëbimin e tij të mundshëm, në mungesë të një perspektive të afërt të dëbimit të tij.
14. Në dritën e sa më sipër, Gjykata dyshonte se arsyet e ndalimit të kërkuesit - veprimet e ndërmarra me qëllim dëbimin e tij sipas nenit 5 § 1 (f) - kishin mbetur të vlefshme për të gjithë periudhën e ndalimit të tij, edhe pas refuzimit të kërkesës së tij për azil, për shkak të mungesës të një perspektive reale të dëbimit të tij dhe dështimit të mundshëm të autoriteteve për të ndjekur procedurën me kujdesin e duhur.
15. Më tej, Gjykata vlerësoi nëse ndalimi ishte i ligjshëm sipas të drejtës së brendshme, pra nëse ishte "në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj" dhe nëse kishte garanci të mjaftueshme kundër arbitraritetit.
16. Ligji për emigracionin nuk vendoste kufizime kohore për ndalimet dhe kërkuesi ishte mbajtur i ndaluar për një periudhë të pakufizuar. Kështu, garancitë procedurale ishin vendimtare, megjithatë Gjykata kishte vendosur tashmë se, z. Louled Massoud nuk kishte pasur asnjë mjet ligjor efektiv në dispozicion, për të kundërshtuar ligjshmërinë dhe kohëzgjatjen e ndalimit të tij. Ajo vazhdoi më tej duke konstatuar se sistemi ligjor maltez, nuk parashikonte një procedurë që të mund të shmangte ndalimet arbitrare në pritje të dëbimit.
17. Gjykata arriti në përfundimin se sistemi kombëtar dështoi në detyrimin e tij për të mbrojtur kërkuesin nga ndalimi arbitrar dhe ky ndalim nuk kishte qenë "i ligjshëm" për qëllimet e nenit 5.
18. Rrjedhimisht, Gjykata vendosi se kishte pasur shkelje të nenit 5 § 1 të Konventës.
D. Në lidhje me nenin 5 § 2
19. Gjykata vendosi mos pranimin e pretendimeve të kërkuesit sipas nenin 5 § 2, për arsye të mosrespektimit të afatit kohor prej gjashtë muajsh.
E. Në lidhje me nenin 41
20. Gjykata i akordoi kërkuesit 12 000 euro në lidhje me dëmin jo material.
Full & Egal Universal Law Academy