M. dhe M. kundër Kroacisë
(kërkesa nr. 10161/13)
3 shtator 2015
ky vendim nxjerr në pah lidhjen mes elementëve përbërës të detyrimeve pozitive të Shteteve sipas nenit 3, si dhe konkludon se dështimi i Shtetit për të hetuar në mënyrë efektive abuzimin e pretenduar të fëmijëve përbën shkelje të nenit 3 kurse kohëzgjatja e tepërt e procedurave të kujdestarisë shkel nenin 8
I. Faktet kryesore
1.Kërkueset, Znj. M. dhe M., nëna dhe vajza e saj e mitur, ishin shtetase kroate që kanë lindur përkatësisht në vitet 1976 dhe 2001, dhe jetonin në Zadar, Kroaci. Znj. M. u martua me Z. I.M. më 23 qershor 2001, dhe më 4 shtator 2001 lindi vajza e tyre. Megjithatë, marrëdhëniet e çiftit u përkeqësuan dhe filluan procedurat e divorcit. Më 24 gusht 2007 Gjykata e Rrethit të Zadarit vendosi divorcin e çiftit. Sipas vendimit të gjykatës kroate, babait iu dha kujdestaria e vajzës ndërsa nënës e drejta e kontaktit, së bashku me pagesën për rritjen e saj.
2.Sipas një deklarate që M. bëri para policisë, më 1 shkurt 2011 kishte ndodhur një episod serioz i abuzimit në familje: babai i saj e kishte goditur në fytyrë, e kishte kapur nga fyti dhe e kishte sharë. Një oftalmolog e diagnostikoi atë me nxirje të syrit të majtë dhe të indit të syrit gjë që tregonte se lëndimi ishte shkaktuar nga një goditje me dorë. M. kishte raportuar edhe raste të tjera të dhunës fizike dhe psikologjike nga babai i saj gjatë tre viteve të fundit duke pranuar se kishte frikë nga ai sepse ishte i dhunshëm. Si rrjedhojë e situatës problematike në familje, një sërë procedurash të lidhura me njëra tjetrën kishin filluar përpara gjykatave kroate, njëra penale për të vendosur mbi abuzimin e pretenduar ndaj vajzës së mitur, tjetra civile për të vendosur mbi kujdestarinë dhe divorcin si dhe një procedurë adimistrative nga autoritetet e mirëqenies sociale. Pas incidentit të 1 shkurtit 2011, Z. I.M. ishte paditur nga Prokuroria më 30 mars 2011 për kryerjen e një vepre penale të lëndimit trupor. Në tetor 2014, procedurat po vijonin ende pasi gjykata e Zadarit ishte duke pritur për të marrë një paisje komunikimi video me të cilën të merrej në pyetje M. gjatë seancave gjyqësore. Më 27 prill 2011, Znj. M. bëri një kallëzim penal kundër Z. I.M. duke e akuzuar atë për abuzim me vajzën e tyre, duke iu referuar incidentit të 1 shkurtit 2011 si dhe pretendimeve nga vajza e tyre se ky episod nuk kishte qenë i izoluar. Kallëzimi u hodh poshtë në janar 2012, pasi nuk u gjetën elemente të mjaftueshme për të provuar abuzimin.
3.Më 30 mars 2011, Znj. M. kishte bërë edhe një padi civile për të anuluar urdhrin e kujdestarisë të 24 gushtit 2007 dhe duke kërkuar që të merrte kujdestarinë e përkohshme të vajzës së saj. Megjithatë, kërkesa për kujdestarinë e përkohshme u refuzua dy muaj më vonë për shkak të mungesës së provave se abuzimi i pretenduar kishte ndodhur. Kurse procedura për kujdestarinë e vajzës ishin në vijim e sipër në gjykatën e shkallës së parë në kohën e vendimit të Gjykatës së Strasburgut. Në procedurat para organeve të mirëqenies sociale, me vendimin e 7 nëntorit 2006, u urdhërua marrja në mbrojtje e vajzës dhe mbikëqyrja e ushtrimit të autoritetit prindëror me qëllim përmirësimin e komunikimit ndërmjet anëtarëve të familjes. Masa zgjati deri në gusht 2008. E njëjta masë u vendos edhe nga shtatori 2011 deri në mars 2014 pasi gjendja familjare nuk kishte parë ndonjë përmirësim të qëndrueshëm. Gjatë procedurave të mësipërme, M. ishte vizituar nga një sërë psikiatrësh dhe psikologësh të cilët kishin arritur të gjithë në përfundimin se fëmija ishte traumatizuar emocionalisht nga ndarja e prindërve dhe nga marrëdhënia e tyre konfliktuale dhe se ajo vazhdimisht kishte shprehur dëshirën që të jetonte me nënën e saj. Megjithatë, u vlerësua se nuk kishte asnjë rrezik që vajza të vazhdonte të jetonte me babain e saj, pasi pretendimet se M. ishte abuzuar nga babai i saj nuk ishin mjaft bindëse për të justifikuar largimin e menjëhershëm të saj nga kujdesi i tij.
4.Në kërkesën e tyre në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të bërë më 3 janar 2013, kërkueset pretenduan se autoritetet vendase nuk kishin përmbushur detyrimet e tyre pozitive sipas Konventës, pasi as nuk e ndoqën penalisht Z. I.M. për veprën penale serioze të abuzimit me vajzën e tij, dhe as nuk e mbrojtën këtë të fundit nga veprimet e dhunshme të mëtejshme duke e larguar nga shtëpia dhe nga kujdesi i tij, në kundërshtim me nenin 3 dhe nenin 8.
II.Vendimi i Gjykatës
A. Në lidhje me nenin 3
i.në lidhje me aspektin procedural
5.Duke pasur parasysh faktin se M. ishte keqtrajtuar dhe se kishte dëshmi të këtij keqtrajtimi, dhe në veçanti për faktin se M. ishte fëmijë dhe viktimë e supozuar e dhunës në familje, Gjykata vlerësoi se rasti aktual bënte që të lindnin detyrime pozitive të Shtetit sipas nenit 3 të Konventës për të hetuar rastet e supozuara të abuzimit dhe për ta mbrojtur atë nga keqtrajtimet e tjera të mundshme.
6.Autoritetet kroate kishin filluar procedurat penale vetëm lidhur me incidentin e 1 shkurtit 2011, duke vendosur që të injoronin tërësisht pretendimet për një seri abuzimesh më të hershme që M. ishte detyruar të duronte, dhe nuk e kishin akuzuar Z. I.M. edhe me vepra ose kundërvajtje penale të afta hetonin edhe të gjitha rastet e keqtrajtimit përpara asaj date. Si pasojë, ata nuk kishin arritur të trajtonin situatën e M.-së në tërësinë e saj. Për më tepër, kohëzgjatja e procedurës penale ka qenë tepër e madhe që të kishte një hetim efektiv, duke shkelur kërkesën për shpejtësi dhe kohë të arsyeshme, të nënkuptuara në kontekstin e nenit 3. Prandaj, Gjykata konstatoi se ka pasur shkelje të këtij neni.
ii.në lidhje me detyrimin pozitiv për ta mbrojtur M. nga keqtrajtimet e pretenduara nga babai
7.Përsa i përket shkeljes së pretenduar të detyrimeve pozitive të autoriteteve për të parandaluar keqtrajtimin e mundshëm në të ardhmen duke marrë të gjitha masat e nevojshme të arsyeshme, Gjykata gjeti se autoritetet vendase kishin ndërmarrë të gjitha hapat e mundshëm të nevojshëm për të vlerësuar dhe peshuar rrezikun e keqtrajtimeve të mundshme, dhe parandalimin e tyre duke marrë parasysh mendimet dhe rekomandimet e ndryshme të dhëna nga disa autoritete sociale dhe duke shqyrtuar me kujdes të gjitha materialet përkatëse. Prandaj, Gjykata u shpreh se nuk kishte pasur shkelje të nenit 3 në këtë pikë.
B. Në lidhje me nenin 8
8.Në shqyrtimin e shkeljes së pretenduar të nenit 8 për shkak të keqtrajtimit, Gjykata vlerësoi se ankesat e M. sipas këtij neni përthitheshin nga ankesat e saj sipas nenit 3. Kërkueset u ankuan gjithashtu sipas nenit 8 se autoritetet vendase kishin injoruar dëshirën e M. për të jetuar me nënën e saj dhe se ajo nuk ishte dëgjuar në procedurat mbi kujdestarinë, të cilat vazhdonin prej më shumë se katër vjetësh. Pas tre vjet e gjysmë, M. kishte filluar të shfaqte sjellje vetëlënduese, të cilën ajo e kishte përshkruar si një reagim ndaj frustrimit nga fakti se asaj nuk i ishte lejuar të zgjidhte me kë të jetonte, dhe për këtë arsye liria e saj e veprimit dhe e drejta për autonomi personale ishin kufizuar. Këto rrethana ngrinin çështje lidhur me të drejtën e kërkueseve për respektimin e jetës private dhe familjare, më vete nga ato të analizuara në kontekstin e nenit 3 dhe prandaj, sipas mendimit të Gjykatës, kërkohej një shqyrtim i veçantë. Sipas Gjykatës, ky rast bënte thirrje për një kujdes më të madh nga gjykatat dhe autoritetet kombëtare, pasi kishte të bënte me një fëmijë të traumatizuar, e cila kishte vuajtur një ankth të madh mendor që kulmoi me veprime vetëlënduese. Megjithatë, gjykatat vendase nuk kishin kuptuar seriozitetin dhe urgjencën e situatës së M. Ajo që ishte edhe më e habitshme për Gjykatën ishte se nuk u ndërmorën hapa për të përshpejtuar procedurat mbi kujdestarinë edhe pasi M. kishte filluar të shfaqte sjellje vetë-lënduese.
9.Ekspertët mjeko-ligjorë në psikologji dhe psikiatri të përfshirë në këtë rast kishin gjetur se të dy prindërit ishin po aq të papërshtatshëm për t’u kujdesur për fëmijën e tyre, dhe këtë pikëpamje kishte edhe qendra lokale e mirëqenies sociale. Ata kishin konstatuar gjithashtu se M. kishte shprehur disa herë një dëshirë të fortë për të jetuar me nënën e saj. Siç përcaktohet në nenin 12 të Konventës për të Drejtat e Fëmijës, fëmijët që janë në gjendje të formojnë pikëpamjet e tyre kanë të drejtë t’i shprehin ato dhe këtyre pikëpamjeve t’u jepet rëndësia e duhur, në përputhje me moshën dhe pjekurinë e tyre, në çdo procedurë që prek interesat e fëmijëve. M. ishte nëntë vjeç e gjysmë në kohën e fillimit të procedurës dhe trembëdhjetë e gjysmë në kohën e vendimit të Gjykatës. Prandaj, do të ishte e vështirë të argumentohej se, duke pasur parasysh moshën dhe pjekurinë e saj, ajo nuk kishte qenë e aftë të formonte pikëpamjet e veta dhe t’i shprehte lirshëm.
10. Gjykata konstatoi se mosrespektimi i dëshirave të M. se me cilin prind ajo donte të jetonte përbënte shkelje të së drejtës së saj për respektimin e jetës private dhe familjare në kundërshtim me nenin 8 të Konventës. Gjetjet në lidhje me karakterin e zgjatur të procedurave të kujdestarisë zbatoheshin gjithashtu po njësoj në situatën e Znj. M. në lidhje me të drejtën e saj për respektimin e jetës së saj private dhe familjare.
C. Në lidhje me nenin 41
11. Gjykata u shpreh se Kroacia duhej t’i paguante M. 19.500 euro dhe nënës së saj 2.500 euro për dëmin jomaterial dhe 3.600 euro të dyjave bashkë për shpenzimet dhe pagesat gjyqësore.
Full & Egal Universal Law Academy