© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document
SEKSIONI I KATËRT
ÇËSHTJA M.A. KUNDËR QIPROS
(Kërkesë nr. 41872/10)
VENDIM
[Ekstrakt]
STRASBURG
23 Korrik 2013
Ky vendim është bërë përfundimtar, sipas nenit 44 § 2 të Konventës. Ai mund t’i nënshtrohet korrigjimeve.
Në çështjen M.A. kundër Qipros,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i katërt), me trup gjykues të përbërë prej:
Ineta Ziemele, President,
Päivi Hirvelä,
George Nicolaou,
Ledi Bianku,
Zdravka Kalaydjieva,
Krzysztof Wojtyczek,
Faris Vehabović, gjyqtarë,
dhe Fatoş Araci, Zevendes Kancelar i Seksionit,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura në datën 2 korrik 2013,
Jep këtë vendim, i cili u mor në datën e lartpërmendur:
PROCEDURA
1. Çështja ka filluar në bazë të kërkesës (nr. 41872/10) kundër Republikës së Qipros drejtuar në Gjykatë, sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa") nga një shtetas sirian me origjinë kurde z. M.A. (“Kërkuesi”), më 14 qershor 2010.
2. Kërkuesi, të cilit iu dha ndihmë ligjore, u përfaqësuan nga Znj. N. Charalambidou, avokat që ushtron aktivitetin në Nicosia. Qeveria qipriote (“Qeveria”) u përfaqësua nga agjenti i tyre, Z. P. Clerides, Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Qipros.
3. Kërkuesi pretendoi se, nëse ai dëbohej në Siri rrezikonte të vritej, në kundërshtim me nenin 2 të Konventës, ose të bëhej subjekt i trajtimeve në shkelje të nenit 3. Në këtë drejtim ai gjithashtu u ankuan për mungesën e një zgjidhjeje të kënaqshme që plotësonte kërkesat e nenit 13 të Konventës. Më tej, kërkuesi u ankua në bazë të nenit 5 § § 1 (f), 2 dhe 4 të Konventës në lidhje me ndalimin e tij nga autoritetet qipriote. Së fundi, ai pohoi se, dëbimi i tij do të ishte në shkelje të nenit 4 të Protokollit nr. 4.
4. Më 14 qershor 2010, Presidenti i Seksionit Parë vendosi të zbatojë nenin 39 të Rregullores së Gjykatës, duke i kërkuar Qeverisë së paditur mos dëbimin e kërkuesit në Siri. Kërkesa iu dha përparësi në të njëjtën datë (neni 41 i Rregullores së Gjykatës). Më 21 shtator 2010, Presidenti i Seksionit Parë, pas shqyrtimit të gjithë informacionit të marrë nga palët, vendosi të vazhdojë ta mbajë masën e përkohshme (shih paragrafin 58 më poshtë).
5. Më 19 janar 2011, kërkesa iu komunikua Qeverisë. Gjithashtu, Gjykata vendosi të shqyrtojë themelin e kërkesës në të njëjtën kohë me pranueshmërinë e saj (neni 29 § 1).
6. Masa e përcaktuar sipas nenit 39 të Rregullores së Gjykatës u hoq gjatë procedurës para Gjykatës (shih paragrafët 59-60 më poshtë).
7. Më 25 gusht 2011, Gjykata ndryshoi përbërjen e Seksioneve (neni 25 § 1 i rregullores së Gjykatës) dhe kërkesa në fjalë iu caktua Seksioni të Katërt të ri kompozuar.
8. Më 30 nëntor 2012, Presidenti i Seksionit të autorizojë anonimitetin kërkuesit (neni 47 § 3 i Rregullores së Gjykatës).
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
9. Kërkuesi, i cili është me origjinë kurde, ka lindur në vitin 1969 në veri perëndim të Sirisë dhe jeton në Nicosia.
A. Kërkesa për azil e kërkuesit dhe të gjitha procedurat përkatëse
10. Kërkuesi u largua nga Siria më 21 maj 2005 dhe pasi kaloi në Turqi e më pas në "Republikën Turke të Qipros Veriore" ("TRNC"), hyri në mënyrë të paligjshme në Qipro.
11. Ai aplikoi për azil me 12 shtator 2005 dhe më 21 qershor 2006 u intervistua nga Shërbimi i Azilit.
12. Kërkesa e tij nuk u pranua nga Shërbimi i Azilit në 21 korrik 2006, me arsyetimin se, ai nuk plotësonte kërkesat e Ligjit për Refugjatë 2000-2005, konkretisht, se nuk kishte treguar frikë të bazuar nga përndjekja për shkak të racës, fesë, kombësisë, anëtarësisë në një grup të veçantë ose mendimit politik apo frikës së bazuar të dëmtimit serioz dhe të pajustifikuar për arsye të tjera. Shërbimi i Azilit vuri në dukje se, kishte pasur mospërputhje në deklaratat e tij rreth fakteve çka vinin në pikëpyetje besueshmërinë e tij. Në veçanti, kishte pasur kontradikta të rëndësishme në lidhje me origjinën e tij. U vu re gjithashtu se, kërkuesi nuk kishte qenë në gjendje t’i përgjigjej në mënyrë të kënaqshme dhe me saktësi pyetjeve të caktuara apo të jepte informacionin e kërkuar në një mënyrë bindëse. Si përfundim, Shërbimi i Azilit vendosi se, kërkesa për azil nuk kishte baza.
13. Më 1 gusht 2006, kërkuesi u ankua pranë Autoritetit i Rishikimit për Refugjatët (këtej e tutje "Autoriteti i Rishikimit") kundër vendimit të Shërbimit të Azil. Ankesa u hodh poshtë më 1 shkurt 2008.
14. Autoriteti i Rishikimi la në fuqi vendimin e Shërbimit të Azilit. Në vendimin e tij ai shprehu se, pretendimet e kërkuesit kishin qenë jo të besueshme, të paqarta dhe të pabazuara. Autoriteti i Rishikimit vuri në dukje, inter alia, se edhe pse kërkuesi kishte deklaruar në intervistën e tij me Shërbimin e Azilit se, ai ishte arrestuar dhe paraburgosur për tri ditë nga forcat siriane të sigurisë ushtarake, kjo kishte ndodhur në vitin 1992, trembëdhjetë vjet para se ai të vendoste të largohej nga vendi. Me përjashtim të këtij incidenti, ai kishte konfirmuar se, kurrë nuk ishte ngacmuar apo persekutuar nga autoritetet siriane. Për më tepër, edhe pse kërkuesi pretendoi se, kishte deklaruar në intervistën e tij me Shërbimin e Azilit se, i ishte nënshtruar goditjes elektrike dhe "trajtimit në rrotën e torturës" ndërkohë që mbahej i ndaluar në Siri, nga procesverbali i asaj interviste doli që ai në fakt kishte deklaruar se kabllot elektrike nuk kishin funksionuar dhe nuk kishte përmendur se ishte përmendur se ishte torturuar në rrotën e torturës. Për këtë arsye, Shërbimi i Azilit nuk e kishte konsideruar të nevojshme që të kërkonte një ekzaminim mjekësor për kërkuesin. Autoriteti i Rishikimit gjithashtu vërejti se, kërkuesi kishte pohuar vetëm se ai kishte lënë Sirinë për shkak të rritjes së presionit mbi popullsinë kurde në atë vend pas ngjarjeve në Qamishli në vitin 2004 dhe frikës së tij për tu arrestuar në të ardhmen për shkak të aktivitetit të tij politike si anëtar i Partisë Yekiti. Megjithatë, pretendimet e tij kishin qenë të përgjithshme dhe të papërcaktuara. Më tej, kërkesa e tij me shkrim për azil ishte bazuar në arsye të tjera. Në veçanti, në kërkesën e tij ai kishte deklaruar se, kishte shkuar në Qipro për të kërkuar punë dhe për kushte më të mira jetese .
15. Së fundi, Autoriteti i Rishikimit theksoi se, kërkuesi kishte qenë në gjendje të merrte një pasaportë në mënyrë të ligjshme dhe të largohej nga Siria. Në lidhje me pretendimet e kërkuesit lidhur me përfshirjen e tij me Partinë Yekiti në Siri, Autoriteti i Rishikimit theksoi se, përgjigjet e kërkuesit për pyetje që i ishin bërë në lidhje me angazhimin partiak të tij ishin shumë të përgjithshme dhe të paqarta.
16. Në përfundim, Autoriteti i Rishikimit vendosi se, kërkuesi nuk kishte arritur të tregonte se ishte në rrezik nga persekutimi dhe se, nëse kthehej në Siri, jeta e tij do të ishte në rrezik ose do të burgosej.
17. Më 1 shtator 2008, pas një kërkese nga Shoqata e Miqësisë Qipro-Kurde drejtuar Ministrit të Punëve të Brendshme më 22 korrik 2008 dosja e kërkuesit u rihap nga Shërbimi i Azilit, për të shqyrtuar informacionin e ri të paraqitur nga kërkuesi, kryesisht në lidhje me aktivitetin e tij në krye të Partisë Yekiti në Qipro. Kërkuesi u intervistua përsëri nga Shërbimi i Azilit më 16 shkurt 2009.
18. Sipas Qeverisë, më 8 qershor 2010 një oficer i Shërbimit të Azilit kishte shprehu mendimin se, informacioni i paraqitur nga kërkuesi nuk mund të konsiderohet si provë e re për të formuar bazën e një kërkese të re. Qeveria paraqiti edhe një shkresë të brendshme për këtë qëllim.
19. Kërkuesi u arrestua më 11 qershor 2010 dhe kundër tij në të njëjtën ditë u lëshuan urdhrat e dëbimit dhe ndalimit (shih paragrafin 41 më poshtë)
...
B. Arrestimi dhe ndalimi i kërkuesit me qëllim dëbimin e tij
29. Më 17 maj 2010, Partia Yekiti dhe kurdë të tjerë nga Siria organizuan një demonstratë në Nicosia, pranë Përfaqësisë të Komisionit Evropian, Ministrisë së Punës dhe Sigurimeve Shoqërore dhe Zyrës së Shtypit të Qeverisë. Ata protestuan kundër politikave kufizuese të Shërbimit të Azilit qipriot në dhënien e mbrojtjes ndërkombëtare. Rreth 150 kurdë nga Siria, përfshirë kërkuesin, ngritën rreth tetëdhjetë çadra në trotuare u vendosën në to. Sipas Qeverisë, kushtet e fushimit ishin jo higjienike dhe protestuesit pengonin trafikun rrugor dhe të këmbësorëve. Fushimi u bë një rrezik për shëndetin publik dhe përbënte një shqetësim për publikun. Protestuesit i kryenin punët e tyre të përditshme në trotuar, kështu ata gatuanin dhe lanin në kushte jo higjienik. Kanalet e thithjes së ujërave ishin tej mbushur, duke u bërë një shqetësim dhe era e tyre ishte bërë e padurueshme. Banjot publike ishin të pista dhe duke qenë se, përdoreshin kazanët e mbeturinave të ndërtesave qeveritare, ato ishin vazhdimisht të tejmbushur. Për më tepër, protestuesit merrnin në mënyrë të paligjshme energjie elektrike nga Zyra e Printimeve. Persona që jetonin e punonin në atë zonën ankoheshin tek autoritetet. Qeveria parashtroi se, ishin bërë përpjekjet nga autoritetet për të bindur protestuesit që të largoheshin, por pa sukses. Si rezultat, autoritetet kishin vendosur të merrnin masa për të larguar protestuesit nga zona.
30. Më 28 Maj 2010 Ministri i Punëve të Brendshme dha udhëzimet për të vazhduar me dëbimin e azilkërkuesve të refuzuar sirianë-kurdë në mënyrë normale.
31. Më 31 maj 2010, Ministri kërkoi nga Shefi i Policisë, ndër të tjera, për të ndërmarrë veprime për të zbatuar udhëzimet e tij. Më tej, ai miratoi sugjerimet e bëra nga autoritetet kompetente që të lëshoheshin urdhrat e dëbimit dhe ndalimit kundër azilkërkuesve sirian-kurdë të refuzuar që kishin pasaporta dhe nuk kishin statusin Ajanib ose Maktoumeen dhe që policia të ekzekutonte urdhrat duke filluar me ato të lëshuara kundër udhëheqësve të protestuesve. Policisë iu kërkua gjithashtu të merrte në konsideratë direktivat policore dhe të përdorte metodat diskrete të arrestimit.
32. Sipas Qeverisë, iu dërguan letra nga Departamenti i Emigracionit dhe Regjistrit Civil, një numër azilkërkuesve siriane-kurdë të refuzuar ku i informonin se, duhet të merrnin masa për të lënë Qipron duke qenë se kërkesa e tyre për azilit ishte hedhur poshtë. Qeveria dorëzoi kopjet e tridhjetë letrave të tilla. Trembëdhjetë nga këto letra mbanin datën 1 qershor 2010 (në prej tyre vendimet për azil ishin marrë qysh më 2007), dhe një prej tyre, 9 qershor 2010 (procedura e vendim për azilit kishte përfunduar në fund të vitit 2009). Dy letra të tjera mbanin datën 16 qershor 2010 (procedurat e azilit kishin përfunduar në fillim të vitit 2008) dhe 28 qershor 2010 (procedurat e azilit kishin përfunduar në mars 2010). Më tej, një letër, e cila kishte të bënte me një rast ku procedura e azilit kishte përfunduar më 22 prill 2010 dhe personi në fjalë kishte rënë dakord vullnetarisht dhe ishte kthyer në Siri më 24 shtator 2010, mbante datën 5 shkurt 2011.
33. Nga dokumentet e paraqitura nga Qeveria duket se, nga 31 maj deri më 7 qershor 2010 autoritetet e kishin mbajtur zonën nën mbikëqyrje dhe kishin regjistruar aktivitetet ditore të protestuesve dhe të gjitha hyrjet daljet e personave. Në regjistrimet përkatës vërehet se, në mënyrë të pandryshueshme ndërmjet 01:30 deri në 05:30, situata ishte në përgjithësi e qetë dhe të gjithë ishte duke fjetur përveç atyre që bënin roje. Gjatë periudhës së lartpërmendur u organizua një operacion në shkallë të gjerë, nga Njësia e Policisë së Reagimit Emergjent, "ERU" ("ΜΜΑΔ"), në bashkëpunim me një numër autoritetesh të tjera, përfshirë Policinë për të Huajt dhe Njësinë e Emigracionit, për largimin e protestuesve dhe transferimin e tyre në selinë e ERU-së me qëllim për të vërtetuar statusin e tyre rast pas rasti.
34. Ndërkohë, në periudhën ndërmjet 28 majit 2010 dhe 2 qershorit 2010 u lëshuan urdhrat për ndalimin dhe dëbimin e dyzet e pesë azilkërkuesve të refuzuar pasi u verifikuan rrethanat e tyre. Këto dokumente iu dërguan nga Zyra për Huajt dhe Dega e Emigracionit e Policisë së Nicosia, Drejtorit të Shërbimit për të Huajt dhe Emigracionit në Ministrinë e Drejtësisë dhe të Rendit Publik dhe përmban një paragraf të shkurtër me të dhëna dhe statusin e emigracionit të çdo personi. Ky informacion përfshinte datën e refuzimit të kërkesës për azil apo të mbylljes së dosjes për azil nga Shërbimi Azilit, datën e rrëzimit të ankesës nga Autoriteti i Rishikimit në rastet kur është bërë një ankimin dhe datën kur disa prej tyre ishin përfshirë në " Listën e të Ndaluarve" të autoriteteve (një regjistër i personave hyrjet dhe daljet e të cilëve nga Qipro ishin ndaluar apo monitoroheshin). Letrat rekomandonin lëshimin e urdhrave të dëbimit dhe ndalimit. Qeveria dorëzuar kopjet e dy prej këtyre letrave me informacione lidhur me trembëdhjetë persona.
35. Më 2 qershor 2010, Departamenti i Emigracionit dhe Regjistrit Civil gjithashtu, përgatiti letra në gjuhën angleze ku informonte të interesuarit për vendimin për ndalimin dhe dëbimin e tyre. Qeveria parashtroi se, në atë kohë, autoritetet nuk e dinin nëse këta individë ishin në mesin e protestuesve.
36. Operacioni i largimit të protestuesve u zhvillua më 11 qershor 2010, me përafërsi ndërmjet orës 3:00 dhe 5:00 me pjesëmarrjen e rreth 250 oficerëve nga Policia për të Huajt dhe Njësia e Emigracionit, ERU, Divizioni i Policisë së Qarkut Nicosia, Divizioni i Trafikut, Shërbimit Zjarrfikës dhe Zyra për Luftën Kundër Diskriminimit e Selisë e Policisë së Qipros. Protestuesit, përfshirë kërkuesit, u shoqëruan për tek autobusët, me sa duket pa asnjë reagim apo rezistencë nga ana e tyre. Në 03:22 ishin larguan minibusët që mbanin protestuesit meshkuj. Autobusët që mbanin gratë, fëmijët dhe foshnjat u larguan në 3:35. Një total prej 149 protestuesish u transferuan në selinë e ERU-s: Tetëdhjetë e shtatë burra, njëzet e dy gra dhe dyzet fëmijë. Me të mbërritur, u bë regjistrimi dhe u vërtetua statusi i secilit nëpërmjet përdorimit të kompjuterëve të cilët ishin instaluar posaçërisht një ditë më parë. Qeveria parashtroi se, gjatë kësaj periudhe protestuesit nuk ishin prangosur apo mbajtur në qeli, por ishin mbledhur në dhoma dhe iu ishte dhënë ushqim dhe pije. Duket nga dokumentet e parashtruara nga Qeveria se rreth orës 06:40 identifikimi i afërsisht gjysmës së grupit kishte përfunduar dhe se i gjithë operacioni kishte përfunduar në orën 16:30.
37. Ishte konstatuar se, shtatëdhjetë e gjashtë persona madhor, së bashku me tridhjetë fëmijët e tyre, qëndronin në mënyrë të paligjshme në vend. Kërkesat e tyre për azil ose ishin rrëzuar ose dosjet e tyre ishin mbyllur pasi nuk kishin marrë pjesë në intervista. Ankesat e paraqitur prej disa prej tyre tek Autoriteti i Rishikim ishin hedhur poshtë. Disa vendime përfundimtare daton që prej vitit 2006. Një numër peronash gjithashtu ishin përfshirë në "listën e të ndaluarve" të autoriteteve. Për njëzet e tre prej tyre ishin lëshuar urdhrat e dëbimit (shih paragrafin 34 më lart).
...
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDSHME PËRKATËSE
...
E. Dispozitat përkatëse kushtetuese
88. Pjesa II e Kushtetutës përmban dispozita të posaçme për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Neni 11 mbron të drejtën e lirisë dhe sigurisë. Ajo lexon si më poshtë, në pjesën pertinente:
Neni 11
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë dhe sigurisë së personit.
2. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj:
...
(f) arrestimi ose ndalimi i një personi me qëllim që të ndalohet hyrja e tij e paautorizuar në territorin e Republikës ose të një të huaji kundër të cilit është duke u kryer një procedurë dëbimi ose ekstradimi
3. Përveç kur dhe siç parashikohet nga ligji, në rastin e një vepre flagrante të dënueshme me vdekje apo burgim, askush nuk do të arrestohet pa një urdhër gjyqësor të arsyetuar sipas formalitetet të përcaktuara me ligj.
4. Çdo person i arrestuar duhet të informohet, në kohën e arrestimit të tij në një gjuhë që ai e kupton, për arsyet e arrestimit , dhe do t’i lejohet që të marrë shërbimet e një avokati të zgjedhur prej tij.
..
7. Çdokush të cilit i është privuar liria me arrestim ose ndalim, ka të drejtë të ndërmarrë procedura në lidhje me ligjshmërinë e ndalimit të tij dhe gjykata duhet të vendos më shpejtësi dhe të urdhërojë lirimin e tij në qoftë se ndalimi është i paligjshëm.
8. Çdokush i cili ka qenë viktimë e arrestimit ose ndalimit në kundërshtim me dispozitat e këtij neni ka të drejtën për kompensim”.
F. Ligje të tjera përkatëse të brendshme
1. Ligji për Policinë
89. Neni 24 (2) i Ligjit për Policinë i 2004 (Ligji nr. 73 (I) / 2004) trajton kompetencat e përgjithshme dhe detyrat e anëtarëve të policisë. Ai parashikon si më poshtë:
“Është detyra e çdo anëtari të policisë që të jetë i gatshëm të bindet dhe të ekzekutojë të gjitha urdhrat e arrest dhe të tjerë të cilat janë lëshuar në mënyrë të ligjshme nga një autoritet kompetent, për të mbledhur dhe të për përcjellë informacion i cili ndikon në paqen dhe sigurinë publike të Republikës së Qipros, për të parandaluar kryerjen e veprave penale dhe trazirave publike, për të zbuluar dhe për të nxjerrë shkelësit para drejtësisë dhe të arrestojë të gjithë personat për të cilët ai është i autorizuar ligjërisht për ti arrestuar dhe për arrestimin e të cilëve ka baza të kënaqshme.”
90. Neni 29 (1) (c) dhe (d) i Ligjit për Policinë parashikon detyrën e policisë për të ruajtur rendin në rrugët publike. Ky nen lexon si më poshtë:
“(1) Është detyrë e çdo anëtari të policisë:
...
(c) për të ruajtur rendin në rrugë publike, kryqëzime, në aeroporte, vendet e zbarkimit, vende të tjera publike argëtimi apo vende në të cilat publiku ka akses dhe
(d) për të rregulluar lëvizjen dhe mirëmbajtjen e rendit në rast të pengesave në rrugët publike dhe në vende të tjera publike argëtimi apo vende në të cilat publiku ka akses.”
2. Ligji për Rrugët Publike dhe Ligji për Parandalimin e Ndotjes së Rrugëve dhe Vendeve Publike
91. Neni 3 i Ligjit për Rrugët Publike (Kap. 83 i ndryshuar) parashikon, inter alia, se është vepër penale e dënueshme me burgim hedhja e mbeturina apo materiale të tjera çfarëdo qofshin në rrugët publike, ose të lejojë rrjedhjen e tyre në ose mbi të, apo qëllimisht të pengojnë kalimin e lirë në rrugë (neni 3).
92. Neni 3 (1) i Ligjit për Parandalimin e Ndotjes së Rrugëve dhe Vendeve Publike i vitit 1992 (Ligji nr. 19 (I) / 92 i ndryshuar) parashikon se ajo është një vepër penale e dënueshme me burgim për të vënë, hedhur, lënë, toleruar ose për të lejuar hedhjen ose lënien, e mbeturinave, mbetjeve, papastërtive etj, në një rrugë ose vend publik ose të kryejë ndonjë nga veprimet e përmendura më sipër ndërsa ndodhet në një rrugë ose vend publik.
3. Ligji për të Drejtat e Personave të Arrestuar dhe Ndaluar
93. Ligji për të Drejtat e Personave të Arrestuar dhe Ndaluar (Ligji nr. 163 (I) / 2005) paraqiti një numër dispozitash që rregullonin të drejtat dhe mënyrën e trajtimit të të arrestuarve që mbahen në paraburgim. Ky ligj, inter alia, i njeh të drejtën personit që është arrestuar nga policia për një thirrje telefonike private, të një avokati të zgjedhur prej tij menjëherë pas arrestimit(neni 3 (1) (a)).
...
E DREJTA
...
IV. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIT 5 § 1 TË KONVENTËS
172. Më tej kërkuesi pretendoi se, ndalimi i tij kishte qenë i paligjshëm dhe për këtë arsye ishte shkelur neni 5 § 1 (f) i Konventës, i cili, në lidhje me këtë, parashikon si më poshtë:
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë e të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj:
...
(f) kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht me qëllim që të ndalohet hyrja e tij e paautorizuar në atë vend, ose nëse kundër tij është duke u kryer një procedurë dëbimi ose ekstradimi.”
A. Parashtrimet e palëve
1. Kërkuesi
173. Kërkuesi parashtroi se, ndalimi i tij ... kishte qenë arbitrar dhe në kundërshtim me nenin 5 § 1 ( f ) të Konventës. Para së gjithash, ai ishte arrestuar ... pa një urdhër arresti edhe pse nuk ishte arrestuar për kryerjen e një vepre flagrante. Edhe pse autoritetet pohuan se, protestuesit, përfshirë kërkuesin, kishin kryer një numër të veprash sipas, për shembull, Ligji për Rrugët Publike, ata nuk i kishin arrestuar ata mbi këto baza. Për më tepër, autoritetet nuk i dinte në atë kohë emrat dhe detaje të tjera për protestuesit dhe për këtë arsye nuk mund të dihej nëse ata ishin duke qëndruar në Qipro në mënyrë të paligjshme. Rrjedhimisht, deri në lëshimin e urdhrave të dëbimit dhe ndalimit kundër tij, arrestimi dhe ndalimi i tij nuk kishte qenë në përputhje me kërkesat procedurale të ligjit të brendshëm dhe nenit 11 (3) të Kushtetutës ( shih paragrafin 88 më lart). Kërkuesi vuri në dukje në këtë drejtim se, në dritën e vëzhgimeve të Qeverisë nuk ishte fare e qartë mbi çfarë bazash ishte arrestuar dhe ndaluar ai gjatë kësaj periudhe
...
2. Qeveria
177. Qeveria parashtroi se, ishte krijuar një situatë e papranueshme nga protestuesit në një nga rrugët më të ngarkuara të qytetin të Nicosia, në të cilën ishin të vendosura blloqe zyrash dhe ndërtesa publike. Ajo proteste rrezikoi shëndetin e publikut dhe të vetë protestuesve, pengoi kalimin e lirë të trafikut dhe kalimtarëve, shkaktoi një shqetësim publik dhe krijoi një rrezik për përhapjen sëmundjesh tek personat të cilët punonin dhe jetonin në atë zonë dhe që ishin ankuar tek autoritetet. Protestuesit kishin refuzuar të bashkëpunonin me autoritetet dhe përpjekjet për ti bindur ata të largohen kishin rezultuar të pasuksesshme.
178. Kishte pasur dy mundësi për autoritetet: të arrestonin protestuesit për një numër veprash penale flagrante të kryera në vendin e protestës dhe të dënueshme me burgim, për shembull, sipas Ligjit për Rrugët Publike (Kap. 83, i ndryshuar) dhe Ligjit për Parandalimin i Ndotjes së Rrugëve dhe Vendeve Publike (Ligji 19 (i) / 92, i ndryshuar) (shih paragrafët 91-92 më lart), ose të merrnin masa për ti larguar protestuesit në mënyrë paqësore. Ata kishin zgjedhur kursin e dytë të veprimit në mënyrë që të shmangnin rrezikun e një reagimi të dhunshëm apo përleshje dhe për të mundësuar një shqyrtim të kujdesshëm të statusit të emigracionit të çdo protestuesi. Do të ishte e pamundur që policia të bënte një kontroll në vend. Në marrjen e vendimin e tyre policia e kishte marrë në konsideratë edhe faktin se kishte pasur gra dhe fëmijë në mesin e protestuesve.
179. Qeveria vuri në dukje se, në 11 qershor 2010, policia, në largimin e protestuesve, përfshirë kërkuesin, kishte vepruar në ushtrimin e detyrave të tyre në bazë të Ligjit për Policinë (Ligji nr. 73 (I) / 2004 i ndryshuar), në mënyrë që, midis të tjerash, të parandalonte kryerjen e veprave penale dhe të shqetësimeve publike, ruajtjen e rendit në rrugët publike, kalimet dhe vendet e tjera në të cilat publiku kishte akses dhe të merrte masa për ruajtjen e rendit në rastet e pengimit të rrugëve publike dhe vendeve të tjera në të cilat publiku kishte akses (nenet 24 (2) dhe 29 (1) (c) dhe (d) të Ligjit, shih paragrafët 89-90 më lart).
180. Qeveria theksoi në këtë drejtim se, as kërkuesi e as protestuesit e tjerë nuk u ishte hequr liria, kur ata ishin larguar nga vendi i protestës dhe ishin dërguan në qendrën e ERU-s së bashku me protestuesit e tjerë. Kjo nuk kishte ndodhur as kur ata ndodheshin në qendër gjatë shqyrtimit të dokumenteve të tyre me qëllim të përcaktimit të statusit të tyre të emigracionit. Autoritetet kishin transferuar protestuesit, përfshirë kërkuesin, në qendrën e ERU-s për qëllime të identifikimit të tyre dhe jo për ti arrestuar dhe ndaluar ata (duke u mbështetur në X. kundër Gjermanisë, nr. 8819/79, vendim i Komisionit i 19 marsit të vitit 1981, Vendime dhe Raporte (DR) vol . 24 , fq. 158 ). Ata nuk ishin mbajtur në qeli, nuk ishin prangosur dhe u ishte dhënë ushqim dhe pije. Ata që ishin identifikuar si banor i ligjshëm në vend ishin kthyer në shtëpi. Pjesa tjetër ishte arrestuar. Ndalimi i kërkuesit kishte filluar kur ai ishte akuzuar për veprën penale flagrante të qëndrimit të paligjshëm në territorin e Republikës dhe ishte arrestuar mbi këtë bazë .
...
B. Vlerësimi i Gjykatës
...
1. Transferimi dhe qëndrimi i kërkuesit tek qendra e ERU-s ERU më 11 qershor 2010
(a) Pranueshmëria
185. Gjykata vëren se, palët nuk bien dakord mbi atë nëse situata e kërkuesit gjatë kësaj periudhe përbënte heqje lirie. Qeveria kundërshtoi argumentet e kërkuesit dhe për rrjedhojë, zbatueshmërinë e nenit 5 § 1 të Konventës për këtë periudhë.
186. Neni 5 § 1, e cila parashikon "të drejtën për liri", ka të bëjë me lirinë fizik të personit. Qëllimi i tij është për të siguruar se, askujt nuk i hiqet liria në mënyrë arbitrare. Për të përcaktuar nëse dikujt i është "hequr liria" në kuptim të nenit 5 § 1, pikënisja duhet të jetë gjendja e tij konkrete dhe duhen marrë parasysh disa kritere të tilla si lloji, kohëzgjatja, efektet dhe mënyra e zbatimit të masës në fjalë. Dallimi ndërmjet heqjes dhe kufizimit të lirisë është në shkallë apo intensitet, dhe jo në natyrë apo thelb (shih, ndërmjet të tjerash Austin dhe të Tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 39692/09, 40713/09 dhe 41008/09, § 57, 15 mars 2012; Stanev, cituar më lart, § 115, 17 janar 2012; Medvedyev dhe të tjerë kundër Francës [GC], nr. 3394/03, § 73, ECHR 2010; dhe Guzzardi kundër Italisë, 6 nëntor 1980, § § 92-93). Është e qartë se, pyetja nëse ka pasur një heqje të lirisë bazohet shumë në faktet e veçanta të një çështjeje (shih për shembull, Austin, § 61, të cituar më lart ) .
187. Në përcaktimin nëse ka pasur ose jo shkelje të të drejtave të Konventës shpesh është e nevojshme të shikohet përtej parashtrimeve dhe gjuhës së përdorur dhe kërkohet një përqendrim në realitetet e situatës (për shembull, në lidhje me nenin 5 § 1, shih, Creanga kundër Rumanisë [GC], nr. 29226/03, § 91, 23 shkurt 2012 dhe Van Droogenbroeck kundër Belgjikës, 24 qershor 1982, § 38, Seria A nr. 50). Karakterizimi ose mungesa e karakterizimin që një Shtet i jep situatës faktike nuk mund të ndikojë në mënyrë vendimtare në konkluzionin e Gjykatës lidhur me ekzistencën e heqjes së lirisë.
188. Gjykata vëren se, në raste e shqyrtuara nga Komisioni, qëllimi i pranisë së personave në qendrat policore, apo fakti që palët e interesuara nuk kishte kërkuar që të lejoheshin të largoheshin, janë konsideruar të jenë faktorë vendimtarë. Kështu, mbajta e fëmijëve dy orë në një qendër policore në mënyrë që të merreshin në pyetje pa u mbyllur në qeli, nuk është konsideruar heqje e lirisë së tyre (shih X. kundër Gjermanisë, nr. 8819/79, të cituar më lart) po kështu nuk është konsideruar heqje lirie dërgimi i një kërkuesi në një qendër policore për arsye humanitare, por që ishte i lirë të shëtiste në ambientet e qendrës dhe nuk kishte kërkuar të largohej (shih Guenat kundër Zvicrës (vendim), nr. 24722/94, vendim i Komisionit i 10 prill 1995). Po kështu, Komisioni i jep një peshë vendimtare edhe faktit se një kërkues nuk kishte pasur kurrë për qëllim që të largohej nga salla e gjyqit, ku ai ishte duke marrë pjesë në një seancë (shih E.G kundër Austrisë, nr. 22715/93, vendimi i Komisionit të datës 15 maj 1996).
189. Jurisprudenca ka evoluar që prej atëherë, pasi qëllimi i masave të marra nga autoritetet që u heqin lirinë kërkuesve nuk janë më vendimtare për vlerësimin e Gjykatës nëse ka pasur në fakt një heqje lirie. Deri më sot, Gjykata e ka marrë këtë në konsideratë vetëm në një fazë të mëvonshme të analizës së saj, kur shqyrton pajtueshmërinë e masës me nenin 5 § 1 të Konventës (shih Creanga, § 93, të cituar më lart; Osypenko kundër Ukrainës, nr. 4634/04, § § 51-65, 9 nëntor 2010; Salayev kundër Azerbajxhanit, nr. 40900/05, § § 41-42, 9 nëntor 2010; Ilia Stefanov kundër Bullgarisë, nr. 65755/01, § 71 , 22 maj 2008: dhe Soare dhe të Tjerët kundër Rumanisë, nr. 24329/02, § 234, 22 shkurt 2011).
190. Për më tepër, Gjykata rikujton jurisprudencën e saj se neni 5 § 1 mund të zbatohet edhe për heqjen e lirisë për një kohë shumë të shkurtër (shih, midis shumë të tjerash, Brega dhe të tjerët kundër Moldavisë, nr. 61485/08, § 43, 24 janar 2012; Shimovolos kundër Rusisë, nr. 30194/09, § § 48-50, 21 qershor 2011; Iskandarov kundër Rusisë, nr. 17185/05, § 140, 23 shtator 2010; Rantsev kundër Qipros dhe Rusisë, nr. 25965/04, § 317, ECHR 2010 (ekstrakte); dhe Foka kundër Turqisë, nr. 28940/95, § 75, 24 qershor 2008)..
191. Duke u kthyer tek faktet e çështjes në fjalë, Gjykata vëren se, në bazë të informacionit në dispozicion ishte ndërmarrë në 11 qershor 2010 në orën 3:00 nga 250 policë një operacion në shkallë të gjerë për të larguar protestuesit nga vendi i protestës (shih paragrafin 36 më lart). Kërkuesi dhe 148 protestues të tjerë u hipën në autobusë dhe u dërguan në qendrën e ERU-s ku qëndruan për disa orë në pritje të identifikimit të tyre dhe verifikimit të statusit të tyre të emigracionit.
192. Gjykata thekson në këtë drejtim se, në ndryshim me rrethanat e jashtëzakonshme të shqyrtuara nga Gjykata në çështjen Austin (cituar më lart, § § 66 dhe 68), në rastin në fjalë nuk ka dëshmi se policia u përball, në vendin e protestës, me një situatë të paqëndrueshme apo të rrezikshme që çonte në një rrezik real dhe të menjëhershëm për trazira të dhunshme apo dëmtime serioze ndaj personave dhe pronës.
193. Së dyti, edhe pse nuk ka pasur rezistencë nga ana e protestuesve, nuk mund të thuhet se, ata ishin në kushtet për të zgjedhur në të vërtetë dhe se ata hipën në autobusë dhe qëndruan në qendrën policore vullnetarisht. Gjykata vëren në këtë drejtim se, operacioni u zhvillua në 3 të mëngjesit, në një kohë kur shumica e protestuesve ishin duke fjetur (shih paragrafin 36 më lart). Duke pasur parasysh natyrën, shkallën dhe qëllimin e operacionit, mënyra se si është kryer dhe masat e përgjithshme të marra nga autoritetet, do të ishte jorealiste të supozohej se, protestuesit ishin të lirë të refuzonin të hipnin në autobusë apo të largoheshin nga qendra policore. As Qeveria në fakt nuk e tha se ata e kishin këtë liri. Është e qartë se qëllimi i operacionit ishte gjithashtu për të identifikuar protestuesit të cilët qëndronin në vend në mënyrë të paligjshme me qëllim për ti dëbuar ata. Vetëm ata që ishin konstatuar se qëndronin ligjërisht në Qipro ishin lënë të lirë për tu larguar nga ambientet e policisë. Pa dyshim që ekzistonte një element shtrëngimit, i cili sipas mendimit të Gjykatës është tregues i heqjes së lirisë në kuptim të nenit 5 § 1. Fakti që askush nuk ishte i lidhur me pranga, vendosur në qeli apo mbahej i kufizuar fizikisht gjatë periudhës në fjalë nuk përbën një faktor vendimtar në përcaktimin e ekzistencës së heqjes së lirisë (shih I.I kundër Bullgarisë, nr. 44082/98, § 87, 9 qershor 2005, dhe Osypenko, cituar më sipër, § 32).
194. Gjykata i referohet gjithashtu, në këtë aspekt, udhëzimeve të marra nga policia për të përdorur "metoda diskrete të arrestimit" (shih paragrafin 31 më lart).
195. Në këto rrethana, Gjykata çmon se, transferimi dhe qëndrimi i kërkuesit në qendrën e ERU-s gjatë kësaj periudhe përbënte heqje de facto të lirisë në kuptim të nenit 5 § 1 dhe se, kjo dispozitë zbatohet në rastin e tij ratione materiae
196. Gjykata vëren më tej se, kjo kërkesë nuk është haptazi e pa bazuar në kuptim të nenit 35 § 3 (a) të Konventës dhe as nuk është e papranueshme për ndonjë arsye tjetër ndaj e deklaron atë të pranueshme.
(b) Themeli
197. Gjykata tani duhet të vendosë nëse ndalimi i kërkuesit ishte në përputhje me nenin 5 § 1. Ajo përsërit se, në mënyrë që pajtohet me këtë dispozitë, ndalimi në fjalë në radhë të parë duhet të jetë "i ligjshëm". Kjo duhet të përfshijë respektimin e procedurës të parashikuar me ligj. Në këtë drejtim Konventa i referohet përsëri në thelb së drejtës kombëtare dhe përcakton detyrimin për tu pajtuar me rregullat materiale dhe procedurale të tij (shih Benham kundër Mbretërisë së Bashkuar, 10 qershor 1996, § 40, Raportet 1996 III). Megjithatë, "ligjshmëria" e ndalimit sipas së drejtës së brendshme nuk është gjithmonë element vendimtar. Gjykata përveç kësaj duhet të binden se, ndalimi gjatë periudhës në shqyrtim ka qenë në përputhje me qëllimet e nenit 5 § 1 të Konventës, parandalimi heqjes së lirisë individëve në mënyrë arbitrare.
198. Gjykata duhet, për më tepër, të verifikojë nëse e drejta e brendshme në vetvete është në përputhje me këtë Konventë, përfshirë edhe parimet e përgjithshme të shprehura ose të nënkuptuara aty. Në këtë pikë të fundit, Gjykata thekson se, kur bëhet fjalë për heqjen e lirisë, është veçanërisht e rëndësishme që parimi i përgjithshëm i sigurisë ligjore të respektohet. Prandaj, është e rëndësishme që kushtet për heqjen e lirisë sipas së legjislacionit të brendshëm të përcaktohen qartë dhe se vetë ligji duhet të jetë i parashikueshëm në zbatimin e tij (shih Zervudacki kundër Francës, nr. 73947/01, § 43 dhe Baranowski kundër Polonisë, § § 50 52, ...)
199. Në rastin në fjalë, Qeveria pretendon se, kërkuesi, së bashku me protestuesit e tjerë, nuk u ishte hequr liria, gjatë kësaj periudhe (shih paragrafin 180 më sipër). Edhe pse ata kanë dhënë shpjegime për veprimet e autoriteteve, ata nuk janë mbështetur në asnjë dispozitë të veçantë si bazë ligjore për heqjen e lirisë.
200. Lidhur me këtë aspekt të veçantë, Qeveria ka parashtruar se, autoritetet vendosën për largimin paqësor të protestuesve dhe se, policia ka vepruar në ushtrimin e detyrave të saj në kuadër të Ligjit për Policinë, në mënyrë që, inter alia, të parandalonte kryerjen e veprave të caktuara penale dhe të shmangnin shqetësimin e publikut si dhe për të ruajtur rendin në rrugët dhe vendet publike (shih paragrafët 89-90 më lart). Dispozitat e veçanta të përmendura nga Qeveria kanë të bëjnë me kompetencat dhe detyrat e punonjësve të policisë për të arrestuar njerëzit që ata janë autorizuar ligjërisht për të arrestuar dhe për të kryer detyrat e tyre për ruajtjen e rendit në rrugë publike dhe rregullimin e lëvizjes, por nuk deklaruan se ndonjë nga këto kompetenca ishin përdorur në të vërtetë për arrestimin e kërkuesit dhe protestuesve të tjerë
201. Në të njëjtën kohë, Qeveria parashtroi se, operacioni synonte gjithashtu të identifikonte protestuesit dhe të vërtetonte statusin e tyre ligjor. Autoritetet dyshuar se, një numër i protestuesve ishin azilkërkues të cilëve u ishte refuzuar azili dhe për këtë arsye, "emigrantë të ndaluar", por pohoi se do të ishte e pamundur për të kryer një hetim efektiv në vend pa provokuar një reagim të dhunshëm. Si pasojë, të gjithë protestuesit ishin marrë në qendrën e ERU-s për qëllime të identifikimit dhe për të përcaktuar nëse janë ose jo emigrantë të paligjshëm. Megjithatë Qeveria nuk e pranoi se, ka pasur një heqje lirie mbi këtë bazë.
202. Gjykata është e vetëdijshme për situatën e vështirë që autoritetet qipriote ishin gjendur dhe se një vendim operacional duhej të merrej. Megjithatë kjo nuk mund të justifikonte miratimin e masave që çonin në heqjen e lirisë, pa ndonjë bazë të qartë ligjore.
203. Ai vijoi se, heqja e lirisë së kërkuesit gjatë kësaj periudhe ishte në kundërshtim me nenin 5 § 1 të Konventës. Pra ka pasur shkelje të kësaj dispozite.
...
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA NJËZËRI
1. Deklaroi kërkesën në lidhje me ... nenin 5 § ... 1 ... të Konventës ... të pranueshme ...
Përgatitur në gjuhën angleze dhe njoftuar me shkrim më 23 korrik 2013 sipas nenit 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Fatoş AracıIneta Ziemele
Zëvendës KancelarePresident
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013.
Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën dhe kjo e fundit nuk ka përgjegjësi për cilësinë e përkthimit. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, HUDOC (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash të cilës Gjykata ia përcjell. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo fitimprurëse me kushtin e përdorimit të titullit të plotë të çështjes, të dhënat e së drejtës së autorit dhe referencat përkatëse të Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse pjesë të këtij përkthimi do të përdoren për qëllime fitimprurëse, ju lutem kontaktoni: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013.
This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has to share it. It may be reproduced for non-commercial purpose on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for the commercial purpose please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013.
La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée a partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cite en rentier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@
Full & Egal Universal Law Academy