© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
SEKSIONI I KATËRT
ÇËSHTJA E MAGEE DHE TË TJERË kundër MBRETËRISË SË BASHKUAR
(Kërkesat nr. 26289/12, nr. 29062/12 dhe nr. 29891/12)
VENDIM
[Pjesë të shkëputura]
STRASBURG
12 maj 2015
PËRFUNDIMTAR
12/08/2015
Ky vendim ka marrë formë të prerë në përputhje me Nenin 44 § 2 të Konventës. Ai mund t’i nënshtrohet rishikimit editorial.
Në çështjen e Magee dhe të Tjerëve kundër Mbretërisë së Bashkuar,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Katërt), në Dhomën e përbërë nga:
Päivi Hirvelä, Kryetar,
George Nicolaou,
Ledi Bianku,
Nona Tsotsoria,
Paul Mahoney,
Krzysztof Wojtyczek,
Faris Vehabović, gjyqtarë,
dhe Françoise Elens-Passos, Kancelar i Seksionit,
Pas konsultimeve me dyer të mbyllura më 14 prill 2015,
Shpall vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në atë datë:
PROCEDURA
1. Çështja filloi me tri kërkesa (nr. 26289/12, nr. 29062/12 dhe nr. 29891/12) kundër Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore të depozituara në Gjykatë në përputhje me Nenin 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa") nga tre shtetas irlandezë, Z. Gabriel Magee, Z. Colin Francis Duffy dhe Znj. Teresa Magee (“kërkuesit”), më 1 maj 2012, 14 maj 2012 dhe 10 maj 2012 respektivisht.
2. Kërkuesi i parë dhe i dytë u përfaqësuan nga KRW Law - LLP, firmë avokatore me seli në Belfast. Kërkuesja e tretë u përfaqësua nga Z. P. Moriarty nga O’Connor & Moriarty Solicitors, firmë me seli në Lurgan. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ("Qeveria") u përfaqësua nga agjentja e saj, Znj. M. Addis nga Zyra e Punëve të Jashtme dhe Commonwealth-it.
3. Më 25 shtator 2012 kërkesat e depozituara nga kërkuesi i parë dhe i dytë iu komunikuan Qeverisë. Kërkesa e kërkueses së tretë iu komunikua Qeverisë më 7 nëntor 2012. Kërkuesit dhe Qeveria secili paraqitën vërejtje në lidhje me pranueshmërinë dhe themelet e çështjeve (Neni 59 § 1 i Rregullores).
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
4. Kërkuesi i parë është i lindur në vitin 1972 dhe jeton në Belfast. Kërkuesi i dytë është i lindur në vitin 1967 dhe jeton në Lurgan. Kërkuesja e tretë është e lindur në vitin 1978 dhe jeton në Craigavon.
A. Kërkuesi i parë dhe kërkuesja e tretë
5. Më 14 mars 2009 kërkuesi i parë dhe kërkuesja e tretë u arrestuan në përputhje me seksionin 41 të Ligjit të Terrorizmit të vitit 2000 ("Ligji i vitit 2000") për dyshime të përfshirjes në vrasjen e një polici më 9 mars 2009. Ata u ndaluan në stacionin e policisë së Antrim po atë ditë. Kërkuesi i parë u intervistua dy herë më 15 mars 2009 dhe një herë më 16 mars 2009; kërkuesja e tretë u intervistua tri herë më 15 mars 2009 dhe një herë më 16 mars 2009.
6. Më 16 mars 2009 Drejtori i Prokurorisë Publike ("DPP") bëri kërkesa drejtuar Gjykatës Krahinore në përputhje me paragrafin 29 të Shtojcës 8 të Ligjit të vitit 2000 për vazhdimin e mbajtjes së dy kërkuesve me qëllim të vazhdimit të marrjes në pyetje dhe zhvillimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore. Kërkuesi i parë dha dëshmi nën betim gjatë seancës dëgjimore. Pas seancës, Gjyqtarja e Gjykatës Krahinore autorizoi vazhdimin e mbajtjes për pesë ditë.
7. Secili prej kërkuesve u intervistua në dymbëdhjetë raste gjatë pesë ditëve në vazhdim.
8. Më 21 mars 2009 DPP i kërkoi Gjykatës Krahinore sipas paragrafit 36 të Shtojcës 8 të Ligjit të vitit 2000 vazhdimin për shtatë ditë të periudhave të cekura në vendimet për mbajtje të mëtejshme. Vazhdimet u kërkuan me qëllim që të mundësohej marrja e mëtejshme në pyetje e kërkuesve pas marrjes së rezultateve të testimeve mjeko-ligjore shtesë. Në seanca të ndara më 22 mars 2009 një Inspektor policie dha dëshmi nën betim në lidhje me nevojshmërinë e vazhdimeve dhe u dëgjuan argumentet në emër të kërkuesit të parë dhe kërkueses së tretë.
9. Pas seancave e Nderuara Gjyqtarja Philpott QC mori vendim me shkrim në lidhje me kërkuesin e parë dhe një vendim ex tempore në lidhje me kërkuesen e tretë. Ajo i pranoi të dy kërkesat, duke autorizuar vazhdimin e mbajtjes së kërkuesit të parë deri në 7:20 të datës 28 mars 2009 dhe atij të kërkueses së tretë deri në 5:52 të datës 28 mars 2009. Në arsyetimin e saj, Gjyqtarja Philpott shënoi që provat relevante mjeko-ligjore ishin qenësore për hetimet dhe që hetimet duhet të kryheshin me zell dhe shpejtësi.
10. Në vendime Gjyqtarja Philpott konsideroi nëse Ligji i vitit 2000 ose Neni 5 i Konventës i jepnin gjykatës që vendoste dhënien ose mosdhënien e vazhdimit të mbajtjes fuqi të shprehur ose të nënkuptuar për të shqyrtuar ligjshmërinë e arrestimit ose për të lejuar dorëzaninë. Ajo doli në përfundimin që nuk i jepnin, sepse Ligji i vitit 2000 i jepte gjyqtarit vetëm fuqinë për të vendosur nëse vazhdimi i mbajtjes ishte i nevojshëm. Rrjedhimisht, ajo duhet të kufizohej tek çështja nëse ishte e nevojshme apo jo të vazhdohej mbajtja përtej dyzet e tetë orëve për qëllime hetimore dhe çdo çështje lidhur me ligjshmërinë e arrestimit do të duhet të përcaktohej nga Gjykata e Lartë qoftë në procedurë Habeas Corpus ose në procedurë të shqyrtimit gjyqësor.
...
C. Procedurat e përbashkëta
17. Kërkuesit kërkuan leje që të bënin kërkesë për shqyrtim gjyqësor të vendimeve të Gjyqtares Philpott të datave 21 dhe 22 mars 2009 të cilat autorizonin vazhdimet e mëtejshme të mbajtjes së tyre. Ata parashtruan, së pari, që Gjyqtarja Philpott kishte gabuar kur kishte dalë në përfundimin që një gjykatë, kur vendos nëse e jep ose jo vazhdimin e mbajtjes, ishte e përjashtuar nga hetimi i ligjshmërisë së arrestimit; së dyti, që gjyqtarja nuk kishte adresuar çështjen nëse mbajtja e kërkuesve ishte e nevojshme ndërkohë që priteshin rezultatet e ekzaminimit mjeko-ligjor; së treti, që gjyqtarja nuk kishte dhënë arsye për vendimin e saj që mbajtja ishte e nevojshme; dhe së fundi, që Shtojca 8 e Ligjit të vitit 2000 ishte në papajtueshmëri me Nenin 5 të Konventës.
18. Leja për të bërë kërkesë për shqyrtim gjyqësor u dha nga Gjykata e Lartë e Irlandës Veriore më 24 mars 2009 dhe Gjykata e Lartë i dëgjoi kërkesat më 25 mars 2009.
19. Në lidhje me parashtresën e kërkuesit të parë, Gjykata e Lartë u shpreh që paragrafët 5 dhe 32 të Shtojcës 8 të Ligjit të vitit 2000 duhet të lexoheshin në përputhje me kërkesat e Nenit 5 § 3 të Konventës siç shpjegohej në jurisprudencën e Gjykatës. Kështu, rishikimi i ligjshmërisë së mbajtjes duhej të kalonte përmes shqyrtimit të bazës së arrestimit, përndryshe një person mund të ndalohej sipas Ligjit të vitit 2000 për një periudhë deri në njëzet e tetë ditë pa u zhvilluar asnjë procedurë gjyqësore për ligjshmërinë e arrestit fillestar dhe kjo nuk mund të ishte në pajtim me Konventën. Prandaj Gjykata e Lartë gjeti që Gjyqtarja Philpott e kishte pasur gabim kur kishte mohuar rishikimin e ligjshmërisë së arrestimit të kërkuesve dhe, për pasojë, vendimi i saj për të autorizuar vazhdimet duhet të prishej. Megjithatë, gjykata pranoi që shqyrtimi i ligjshmërisë së arrestit nuk ka nevojë të përfshijë një analizë të hollësishme të bazës së vendimit për arrestim dhe duhet të pasqyrojë kufizimet e nevojshme që zbatohen në shumë arrestime për vepra terrorizmi.
20. Për sa i përket parashtrimit të dytë dhe të tretë të kërkuesve, Gjykata e Lartë gjeti që megjithëse gjyqtarja nuk ishte fokusuar direkt në faktin nëse kërkuesit duhet të mbaheshin apo të liroheshin në pritje të rezultatit të ekzaminimeve mjeko-ligjore të mbetura, ajo nuk kishte dështuar të merrte parasysh nevojën për mbajtje si bazë për dhënien e autorizimit. Për më tepër, megjithëse arsyet e saj ishin deklaruar në mënyrë të saktë, ato ishin të mjaftueshme për t’u përcjellë kërkuesve bazën e vendimit të saj.
21. Marrja në konsideratë e parashtrimit të katërt të kërkuesve, pra pajtueshmëria e Shtojcës 8 të Ligjit të vitit 2000 me Nenin 5 të Konventës u shty. Në një vendim të shpallur më 24 shkurt 2011, Gjykata e Lartë e Irlandës Veriore nuk gjeti bazë për parashtrimin që Shtojca 8 ishte e papajtueshme me Nenin 5 të Konventës. Në mënyrë të veçantë, gjykata u shpreh që megjithëse nuk kishte dyshim që "autoriteti ligjor kompetent" i përmendur në Nenin 5 § 1(c) ishte autoriteti që kishte kompetenca për të trajtuar akuzat penale (Gjyqtari i Shkallës së Parë[1] në Mbretërinë e Bashkuar), në Schiesser kundër Zvicrës, 4 dhjetor 1979, § 29, Seria A nr. 34 dhe McKay kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 543/03, ECHR 2006‑X Gjykata e kishte bërë të qartë që funksioni i "një gjyqtari ose zyrtari tjetër" për qëllimet e Nenit 5 § 3 të Konventës mund të kryhej nga një zyrtar i autorizuar me ligj të ushtronte pushtet gjyqësor dhe nuk duhej domosdoshmërisht që të ishte një njeri me pushtetin për të zhvilluar gjyqin e ndonjë akuze penale eventuale; që, megjithëse nuk kishte shprehimisht pushtet për të urdhëruar lirimin në Ligjin e vitit 2000 siç kërkohet nga Neni 5 § 3 i Konventës, një pushtet i tillë duhet të jetë i nënkuptuar; që, meqenëse paragrafi 32 i Shtojcës 8 të Ligjit të vitit 2000 parashikonte që duhet të kishte baza të arsyeshme për të besuar që mbajtja e mëtejshme e një personi ishte e nevojshme, ajo rrjedhimisht përmbante një kërkesë proporcionaliteti; që, nuk kishte dispozitë për lirimin e kushtëzuar me dorëzani brenda skemës statusore, një çështje e cila nuk doli në çështjen në fjalë por e cila do të duhej të adresohej në të gjitha çështjet e ardhshme ku do shfaqej; që, megjithëse paragrafi 33(3) i Shtojcës 8 i mundësonte një autoriteti gjyqësor që të përjashtonte një kërkues ose këdo që e përfaqësonte atë nga çdo pjesë e seancës dhe paragrafi 34 lejonte që informacioni të mbahej i fshehur nga kërkuesi ose kushdo që e përfaqësonte atë, kishte një gamë të gjerë mjetesh në dispozicion të gjykatës për të ruajtur deri në masën e nevojshme një procedurë me palë kundërshtare dhe barazinë e armëve; dhe, në fund, që nuk kishte autoritet i cili mbështeste deklarimin e kërkuesve që Neni 5 kërkonte që një person i paraburgosur të akuzohej shumë përpara skadimit të periudhës prej njëzet e tetë ditësh të parashikuar në Ligjin e vitit 2000.
22. Më 4 prill 2011 Gjykata e Lartë e Irlandës Veriore vërtetoi që ajo ishte bindur që vendimi i marrë më 24 shkurt 2011 kishte të bënte me pikat e ligjit si më poshtë të cilat ishin të rëndësisë së përgjithshme publike:
“(a) Nëse paragrafët 29(3) dhe 36(3)(b) të Pjesës III të Shtojcës 8 të Ligjit të Terrorizmit të vitit 2000 (“Ligji”) që lejonin mbajtjen e vazhduar për më shumë se katër ditë janë në përputhje me të drejtat e Kërkuesit sipas Nenit 5(1)(c), 5(2) dhe 5(3) të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (“Konventa”)Nëse pajtueshmëria me Nenin 5(3) të Konventës mund të arrihet vetëm duke siguruar që i ndaluari të sillet para një autoriteti gjyqësor (i) që nuk është Gjykata e Shkallës së Parë[2] dhe (ii) pa u ngritur asnjë akuzë kundër tij;Nëse Nenet 5(1)(c) dhe 5(3) të Konventës duhet të lexohen së bashku si dispozita të lidhura dhe të kuptohen si të tilla që krijojnë një skemë në mënyrë që “gjyqtari ose një zyrtar tjetër i autorizuar me ligj për të ushtruar pushtet gjyqësor” referuar në Nenin 5(3) dhe “autoriteti ligjor kompetent” i referuar në Nenin 5(1)(c) të jenë i njëjti person;Nëse “autoriteti gjyqësor” i parashikuar nga Shtojca 8 e Ligjit është “gjyqtari apo një zyrtar tjetër i autorizuar me ligj për të ushtruar pushtet gjyqësor” brenda kuptimit të Nenit 5(3) të Konventës;Nëse Nenet 5(1)(c) dhe 5(3) të Konventës nuk mund të interpretohen në mënyrë të atillë që të lejohet mbajtja e një të dyshuari pa akuza për çfarëdo periudhe të saktësuar nga Parlamenti, duke iu nënshtruar vetëm kërkesës për miratim gjyqësor periodik të llojit të saktësuar në Nenin 8 të Ligjit.
(b) Nëse mungesa e pushtetit për të lejuar lirimin me kusht në dorëzani e bënte skemën për vazhdimin e mbajtjes e përcaktuar në Pjesën III të Shtojcës 8 të papajtueshme me Nenin 5 të KEDNJ-së; dhe
(c) Nëse procedura për dhënien e vazhdimit të mbajtjes, në rrethana ku i dyshuari dhe përfaqësuesi ligjor janë përjashtuar nga gjyqtari për një pjesë të seancës (sipas Shtojcës 8, paragrafi 33(3)) dhe për të njëjtën arsye informacionet i bëhen të ditura gjyqtarit por mbahen të fshehura nga i dyshuari dhe përfaqësuesi i tij ligjor, (Shtojca 8, paragrafi 34(1) dhe (2)(f)) është në papajtueshmëri me kriterin e seancës me palë kundërshtare siç kërkohet nga Neni 5 duke pasur parasysh Secretary of State for the Home Departmentv AF (FC) & Anor [2010] 2 AC 269.”
23. Megjithatë, Gjykata e Lartë e refuzoi lejen për të apeluar pranë Gjykatës Supreme.
24. Leja për të apeluar u refuzua nga Gjykata Supreme më 14 nëntor 2011 mbi bazën e faktit që kërkesat nuk ngrinin ndonjë pikë të diskutueshme në ligj e cila të ishte e rëndësisë së përgjithshme publike.
D. Lirimi i kërkuesve nga mbajtja
25. Kërkuesit u liruan pa akuza më 25 mars 2009. Kërkuesi i parë dhe kërkuesja e tretë më pas nuk u ngarkuan me ndonjë vepër lidhur me vrasjen e policit.
26. Kërkuesi i dytë u ri-arrestua menjëherë dhe u intervistua gjatë dy ditëve në vijim. Më 27 mars 2009 ai u ngarkua me akuzën për vrasjen e dy ushtarëve, pesë vrasje në tentativë dhe posedim i një arme zjarri dhe municioneve. Ai u soll para një Gjyqtari Qarku në Gjykatën e Shkallës së Parë në Larne më 27 mars 2009. Kërkesa e tij për dorëzani u refuzua. Pas një seance e cila u zhvillua më 6 dhe 23 nëntor 2009, dorëzania u refuzua nga Gjykata e Lartë mbi bazën e faktit që ekzistonte rreziku real i përsëritjes së veprës penale për shkak të përfshirjes së tij të dyshuar në një organizatë disidente republikane. Gjykata e Lartë sërish refuzoi të pranonte dorëzaninë më 8 tetor 2010.
27. Më 7 nëntor 2011 kërkuesi i dytë doli në gjyq para një gjyqtari pa trup gjykues. Më 20 janar 2012 ai u shfajësua nga të gjitha pikat në aktakuzë.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA PËRKATËSE VENDASE
A. Pushtetet e arrestimit dhe mbajtjes së të dyshuarve për terrorizëm sipas Ligjit të Terrorizmit të vitit 2000
28. Seksioni 40 i Ligjit të vitit 2000 përkufizon terroristin si person i cili ka kryer një vepër penale sipas seksioneve të ndryshme të Ligjit ose i cili ka pasur përgjegjësi në kryerjen, përgatitjen ose nxitjen e akteve të terrorizmit.
29. Seksioni 41(1) i Ligjit parashikon që një polic mund të arrestojë pa urdhërarrest një person për të cilin ai dyshon me arsye se është terrorist.
30. Pjesa II e Shtojcës 8 të Ligjit të vitit 2000 merret me ndalimin e një personi të tillë nga policia gjatë dyzet e tetë orëve të para.
31. Seksioni 41(3) i Ligjit parashikon që një person i ndaluar duhet të lirohet jo më vonë se në fund të periudhës dyzet e tetë orëshe e cila fillon në momentin e arrestimit sipas nënseksioneve (4) dhe (7) të shënuara poshtë:
“(4) Në qoftë se pas shqyrtimit të mbajtjes së një personi sipas Pjesës II të Shtojcës 8 zyrtari shqyrtues nuk autorizon vazhdimin e mbajtjes, personi (përveç rastit kur ndalohet në përputhje me nënseksionin (5) ose (6) ose sipas ndonjë pushteti tjetër) lirohet.
(5) Kur një polic synon të bëjë kërkesë për urdhër sipas paragrafit 29 të Shtojcës 8 për vazhdimin e mbajtjes së një personi, personi mund të mbahet në pritje të bërjes së kërkesës.
(6) Kur bëhet një kërkesë sipas paragrafit 29 ose 36 të Shtojcës 8 në lidhje me mbajtjen e një personi, ai mund të mbahet në pritje të përfundimit të procedurave që trajtojnë kërkesën.
(7) Kur pranohet një kërkesë sipas paragrafit 29 ose 36 të Shtojcës 8 në lidhje me mbajtjen e një personi, ai mund të mbahet, në përputhje me paragrafin 37 të asaj Shtojce, gjatë periudhës së specifikuar në urdhër.”
32. Paragrafi 29 i Shtojcës 8 të Ligjit parashikon që Drejtori i Prokurorisë Publike të Irlandës Veriore (“DPP”) mund të bëjë kërkesë pranë një autoriteti gjyqësor për çështjen e urdhrit për vazhdim të mbajtjes. Në pajtim me paragrafin 29(3), periudha e mbajtjes të mëtejshme është shtatë ditë nga koha e arrestimit sipas seksionit 41 të Ligjit të vitit 2000 në qoftë se kërkesa është për një periudhë më të shkurtër ose autoriteti gjyqësor është i bindur që ka rrethana që do ta bënin të papërshtatshme që periudha e specifikuar të jetë aq e gjatë sa periudha prej shtatë ditësh.
33. Në Irlandën Veriore autoriteti gjyqësor sipas Ligjit të vitit 2000 është një Gjyqtar i Gjykatës Krahinore ose një Gjyqtar Qarku (Gjykata e Shkallës së Parë) i cili caktohet për qëllime të Ligjit.
34. Paragrafi 30 i Shtojcës 8 kërkon që kërkesa për urdhër të bëhet gjatë periudhës së mbajtjes fillestare ose brenda gjashtë orësh pas përfundimit të asaj periudhe.
35. Paragrafi 31 garanton që kërkesa për urdhër nuk mund të dëgjohet deri sa personi me të cilin ajo ka lidhje të jetë njoftuar që kërkesa është bërë, koha kur është bërë, koha kur do të dëgjohet dhe bazat mbi të cilat kërkohet vazhdimi i mbajtjes.
36. Paragrafi 32(1) parashikon që një autoritet gjyqësor mund të lëshojë urdhër për vazhdimin e mbajtjes vetëm në qoftë se është i bindur që ka baza të arsyeshme për të besuar se mbajtja e mëtejshme e personit është e nevojshme dhe që hetimet në lidhje me të cilat po mbahet personi janë duke u zhvilluar me zell dhe shpejtësi.
37. Paragrafi 32(1A) parashikon që mbajtja e mëtejshme e një personi kërkohet në qoftë se është e nevojshme:-
“(a) për të përftuar prova relevante qoftë përmes marrjes së tij në pyetje ose ndryshe;
(b) për të ruajtur provat relevante; ose
(c) në pritje të rezultateve të një ekzaminimi ose analize të çdo prove relevante ose të çdo gjëje ekzaminimi ose analizimi i së cilës do të zhvillohet ose është duke u zhvilluar me qëllim të përftimit të provave relevante.”
38. Provat relevante janë prova që lidhjen me kryerjen e një vepre sipas seksionit 40 ose tregues që personi i ndaluar është person që hyn brenda atij seksioni.
39. Paragrafi 33 kërkon që personit me të cilin ka lidhje kërkesa t’i ofrohet një mundësi për të bërë deklarim me gojë ose me shkrim drejtuar autoritetit gjyqësor dhe për të pasur përfaqësim ligjor në seancë. Paragrafi 33(3) parashikon që autoriteti gjyqësor mund ta përjashtojë personin me të cilin ka lidhje kërkesa ose këdo që e përfaqëson atë nga seanca.
40. Po kështu, paragrafi 34 mundëson që DPP t’i bëjë kërkesë autoritetit gjyqësor për një urdhër që informacioni i specifikuar mbi të cili ai kërkon të mbështetet të mbahet i fshehur nga personi me të cilin ka lidhje kërkesa dhe nga kushdo që e përfaqëson atë. Autoriteti gjyqësor mund ta marrë një urdhër të tillë vetëm në qoftë se bindet që ka baza të arsyeshme për të besuar se nëse informacioni do të zbulohej:-
“(a) do të ndërhyhej ose do të dëmtoheshin provat e veprës sipas cilësdo prej dispozitave të përmendura në seksionin 40(1)(a),
(b) do të pengohej rimarrja e sendeve të përftuara si rezultat i një vepre sipas cilësdo prej atyre dispozitave,
(c) do të pengohej rimarrja e sendeve për të cilat mund të merrej urdhër konfiskimi sipas seksionit 23 ose 23A,
(d) do të bëhej më e vështirë kapja, ndjekja penale ose dënimi i një personi që dyshohet se hyn brenda seksionit 40(1)(a) ose (b) si pasojë e lajmërimit të tij,
(e) do të bëhej më i vështirë parandalimi i një akti terrorizmi për shkak të lajmërimit të personit,
(f) do të ndërhyhej tek mbledhja e informacioneve rreth kryerjes, përgatitjes ose nxitjes së një akti terrorizmi, ose
(g) mund të ndërhyhej tek një person ose mund të lëndohej dikush.”
41. Paragrafi 36 merret me vazhdimet e urdhrave për mbajtje të mëtejshme deri në maksimumi njëzet e tetë ditë. Secila kërkesë për vazhdim mund ta vazhdojë periudhën e mbajtjes deri në shtatë ditë. Çdo kërkesë e cila e vazhdon periudhën e atëhershme total përtej katërmbëdhjetë ditëve duhet t’i drejtohet një gjyqtari të Gjykatës së Lartë; përndryshe kërkesa i drejtohet një Gjyqtari të caktuar të Gjykatës Krahinore ose një Gjyqtari Qarku (Gjykata e Magjistratëve).
B. Ward kundër Shërbimit Policor të Irlandës Veriore [2007] 1 WLR 3013; [2007] UKHL 50
42. Në Ward kundër Shërbimit Policor të Irlandës Veriore Dhoma e Lordëve vendosi që procedura e parashikuar nga paragrafi 33 i Shtojcës 8 ishte e konceptuar në interes të personit të ndaluar dhe jo në atë të policisë. Ai deklaroi:
“27. Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje është që procedura para autoritetit gjyqësor që parashikon paragrafi 33 është konceptuar në interes të personit të ndaluar dhe jo në atë të policisë. Ajo i jep personit me të cilin ka lidhje kërkesa të drejtën për të bërë deklarime dhe për t’u përfaqësuar në seancë. Por ajo gjithashtu njeh natyrën delikate të hetimeve që autoriteti gjyqësor mund të dojë të bëjë për t’u bindur, në interes të atij personi, që ka baza të arsyeshme për të besuar se mbajtja e mëtejshme që po kërkohet është e nevojshme. Sa më shumë që thellohet shqyrtimi i kësaj çështjeje, aq më delikate ka gjasa të bëhet ajo. Sa më e gjatë që është periudha gjatë së cilës lejohet vazhdimi, aq më e rëndësishme bëhet që bazat për kërkesën të këqyren me kujdes dhe me zell.
28. Në këtë çështje, nevoja e autoritetit gjyqësor për të këqyrur mund të shkelë mbi të drejtën e policisë për të mbajtur të fshehur nga i dyshuari një numër pyetjesh të cilat ajo synon t’i bëjë gjatë intervistimit të tij. Nëse e bën një gjë të tillë, nuk do të jetë në disavantazh të personit të ndaluar përjashtimi i tij në mënyrë që autoritetet gjyqësore të mund ta shqyrtojnë çështjen më nga afër për të parë nëse kalohet testi i saktësimit për vazhdimin që parashtron paragrafi 32. Në atë rast pushteti nuk do të ishte duke u përdorur kundër personit të ndaluar por për të mirën e tij. Siç tha Hart J në vendimin e tij extempore, mbrojtësi i atij personi është gjyqtari, funksioni i të cili është të shqyrtojë në mënyrë rigoroze dhe gjithëpërfshirëse bazën mbi të cilën bëhet kërkesa.
29. Mund të ketë raste kur ekziston rreziku që pushteti i dhënë autoritetit gjyqësor nga paragrafi 33(3) do të veprojë në disavantazh të personit të mbajtur. Ato raste janë të rralla, por autoriteti gjyqësor duhet të bëjë gjithmonë kujdes që të mos e ushtrojë pushtetin në atë mënyrë."
E DREJTA
I. BASHKIMI I KËRKESAVE
43. Tri kërkesat në çështjen e tanishme (nr. 26289/12, nr. 29062/12 dhe nr. 29891/12) ngrenë të njëjtat probleme. Për arsyet e përmendura në paragrafët 47-59 poshtë, Gjykata gjen që ankesat e kërkuesit të dytë janë të papranueshme. Megjithatë, ajo konsideron që kërkesat e mbetura (nr. 26289/12 dhe nr. 29891/12)duhet të bashkohen në përputhje me Nenin 42 § 1 të Rregullores së Gjykatës.
II. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 5 §1(c), 5 § 2 DHE 5 § 3 TË KONVENTËS
44. Kërkuesit u ankuan që mbajtja e tyre ishte në shkelje të Nenit 5 § 1(c), 5 § 2 dhe 5 § 3 të Konventës, i cili thotë si vijon:
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë e të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj:
.........
(c) kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht për t’u çuar përpara autoritetit gjyqësor kompetent pas dyshimit të arsyeshëm se ka kryer një vepër penale ose kur çmohet në mënyrë të arsyeshme e nevojshme për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj;
.........
2. Çdo person i arrestuar duhet të informohet brenda një afati sa më të shkurtër dhe në një gjuhë që ai e kupton për arsyet e arrestimit të tij dhe në lidhje me çdo akuzë që i bëhet.
3. Çdo person i arrestuar ose i paraburgosur në rrethanat e parashikuara në paragrafin 1 (c) të këtij neni duhet të çohet menjëherë përpara një gjyqtari ose një zyrtari tjetër të autorizuar me ligj për të ushtruar funksione gjyqësore dhe ka të drejtë të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm ose të lirohet në gjykim e sipër. Lirimi mund të kushtëzohet nga garanci për t’u paraqitur para gjykatës.”
45. Gjykata nuk është e detyruar nga karakterizimi që kërkuesi u jep fakteve të çështjes (shih, për shembull, Margaretić kundër Kroacisë, nr. 16115/13, § 75, 5 qershor 2014). Prandaj, meqenëse thelbi i ankesës së kërkuesve sipas Nenit 5 § 1(c) ishte që ata nuk ishin sjellë menjëherë para një "gjyqtari ose zyrtari tjetër", ajo konsideron që do të ishte më e përshtatshme të shqyrtohet ajo ankesë sipas Nenit 5 § 3.
46. Qeveria i kontestoi argumentet e kërkuesve.
...
B. Themelet
1. Parashtrimet e palëve
(a) Kërkuesit
62. Kërkuesit u mbështetën në Schiesser kundër Zvicrës, 4 dhjetor 1979, Seria A nr. 34 si autoritet për propozimin që "autoriteti ligjor kompetent" (në paragrafin 1(c) të Nenit 5) ishte sinonim, i një forme të shkurtuar, të një "gjyqtari ose zyrtari tjetër të autorizuar me ligj për të ushtruar pushtet gjyqësor" (në paragrafin 3 të Nenit 5). Sipas skemës për fillimin e procedurave penale në Irlandën Veriore, Gjykata e Shkallës së Parë ishte vendi ku i pandehuri bënte paraqitjen e parë pas akuzimit. Prandaj kërkuesit parashtruan që në Irlandën Veriore Gjykata e Shkallës së Parë ishte edhe "autoriteti ligjor kompetent" për qëllimet e Nenit 5 § 1(c) edhe "gjyqtar ose zyrtar tjetër" për qëllimet e Nenit 5 § 3 të Konventës dhe, meqenëse ata nuk dolën fare para Gjykatës së Shkallës së Parë, mbajtja e tyre para akuzimit ishte në shkelje të Nenit 5 § 3.
63. Kërkuesit më tej parashtruan që kishte plotësisht kuptim që paraqitja e parë pas akuzimit para Gjykatës së Magjistratëve të ishte paraqitja para një "gjyqtari ose zyrtari tjetër", sepse ajo do të ofronte mbrojtje të mëtejshme kundër mbajtjes arbitrare. Në mënyrë të veçantë, do të siguronte shpalljen e menjëhershme dhe publike të akuzës kundër të mbajturit; do të garantonte marrjen në konsideratë të vazhdimit të mbajtjes së të ndaluarit dhe, çka është me rëndësi, të mundësisë së lirimit me kusht; dhe nëse do të autorizohej mbajtja e mëtejshme kjo do të ndodhte në burg e jo në stacionin e policisë, çka nuk kishte gjasa të ishte e përshtatshme për periudha të zgjatura të mbajtjes.
64. Edhe sikur Gjykata të pranonte që kontrolli gjyqësor i mbajtjes i parashikuar nga Neni 5 § 3 i Konventës nuk ishte i detyrueshëm që të kryhej nga Gjykata e Shkallës së Parë, kërkuesit parashtruan që "autoriteti gjyqësor" i përcaktuar nga Ligji i vitit 2000 nuk kishte pushtetin dhe karakteristikat për të përmbushur kërkesat e atij Neni.
65. Së pari ata diskutuan që fushëveprimi i hetimeve të zhvilluara nga autoriteti gjyqësor gjatë shqyrtimit të parë automatik të mbajtjes nuk ishte në përputhje me Nenin 5 § 3 të Konventës. Në çështjen e tanishme Gjykata e Lartë gjeti që shqyrtimi i ligjshmërisë së arrestimit nuk kishte nevojë të përfshinte analizën e hollësishme të bazës së vendimit për arrest dhe duhet të pasqyronte kufizimet e nevojshme që zbatoheshin në shumë arrestime për vepra të terrorizmit, kur arsyet e sigurisë publike ndalonin zbulimin e informacioneve të plota mbi bazën e të cilave merrej vendimi për arrestim. Kërkuesit parashtruan që kjo nuk ishte në pajtim me Nenin 5 § 3, sepse një test i tillë e pengonte shqyrtimin efektiv të arrestimit dhe mbajtjes që kërkohej nga ai Nen gjatë shqyrtimit të parë automatik nga një gjyqtar dhe gjatë shqyrtimeve të mëpasme. Prandaj, edhe sikur Gjyqtari i Gjykatës së Lartë të kishte vazhduar mbi bazën e miratuar nga Gjykata e Lartë, kjo nuk do të kishte qenë e mjaftueshme për të qenë në pajtueshmëri me Nenin 5 § 3.
66. Së dyti, pasoja logjike e krijimit të një mekanizmi të ndarë dhe të dallueshëm jashtë proceseve normale ligjore ishte që "autoriteti gjyqësor" duhet të përmbushte dy role të ndara të mbikëqyrjes gjyqësore të kërkuara nga Neni 5 § 3 i Konventës: shqyrtimin automatik të mbajtjes dhe konsiderimin nëse i mbajturi duhet të lirohet me dorëzani në pritje të gjyqit. Praktika gjyqësore e Konventës ka përcaktuar që ky roli i fundit duhet të kryhej me shpejtësinë e duhur (McKay kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 543/03, ECHR 2006‑X). Nuk kishte diskutim mes palëve që "autoriteti gjyqësor" siç përcaktohej nga Ligji i vitit 2000 nuk kishte pushtet për të urdhëruar lirimin me kusht; megjithatë, pa mundësinë e caktimit të kushteve të lirimit autoriteti gjyqësor mund të urdhëronte vetëm lirimin pa kushte ose mbajtjen e vazhduar. Ky qëndrim ishte posaçërisht i ngurtë në një çështje si kjo e tanishmja, ku kërkuesit, të paktën, duhet të ishin liruar me kusht. Në këtë aspekt kërkuesit parashtruan që policia kishte kërkuar të vazhdohej mbajtja e tyre kur ata tashmë ishin mbajtur për shtatë ditë pa akuza; intervistat e policisë kishin përfunduar, përveç marrjes së rezultateve të analizave mjeko-ligjore; hetimet nuk kishin sjellë ndonjë provë ose prova të mjaftueshme për t’i akuzuar kërkuesit; ata ishin njerëz me karakter dhe nuk përbënin rrezik arratie; dhe ata kishin të drejtën e prezumimit të pafajësisë.
(b) Qeveria
67. Qeveria parashtroi që kriteri thelbësor i Nenit 5 § 3 të Konventës ishte që personi i arrestuar të sillet menjëherë para "një gjyqtari ose zyrtari tjetër të autorizuar me ligj për ushtrimin e pushtetit gjyqësor". Organet gjyqësore të përmendura në Nenin 5 § 1(c) dhe 5 § 3 nuk kërkohej që të ishin identike; meqenëse Shtojca 8 kërkonte që personi i mbajtur të sillej para një gjyqtari, ajo i përmbahej kriterit themelor të përmbajtur në Nenin 5 § 3. Për ta vërtetuar këtë pohim Qeveria u mbështet në tekstin e Nenit 5; qëllimin e Nenit 5; dhe në vendimet e Gjykatës në Aquilina kundër Maltës [GC], nr. 25642/94, ECHR 1999‑III dhe Schiesser kundër Zvicrës, cituar lart.
68. Së pari, fakti që tjetër gjuhë përdorej në Nenin 5 §1(c) nga njëra anë dhe në Nenin 5 § 3 nga ana tjetër tregonte që dy organet gjyqësore të referuara në ato dispozita nuk ishte e nevojshme të ishin identike.
69. Së dyti, në Medvedyev dhe të Tjerë kundër Francës [GC], nr. 3394/03, ECHR 2010 Gjykata deklaroi se qëllimi i Nenit 5 § 3 ishte të siguronte që personat e arrestuar të silleshin fizikisht para një zyrtari gjyqësor menjëherë dhe dispozitat e Shtojcës 8 i shërbenin këtij qëllimi. Në mënyrë të veçantë, ato ofronin mbrojtje kundër mbajtjes arbitrare, sepse zhvillohej një këqyrje e pavarur gjyqësore e arsyeve për mbajtjen e një të ndaluari dhe duhet të urdhërohej lirimi në qoftë se mbajtja e vazhduar e një të ndaluari nuk ishte e justifikuar. Sugjerimi që "gjyqtari ose zyrtari tjetër" në Nenin 5 § 3 duhet të jetë i njëjtë me "autoritetin ligjor kompetent" në Nenin 5 § 1(c) nuk do t’i shtonte asgjë mbrojtjes së parashikuar për një person të ndaluar, do t’i jepte përparësi formës para thelbit, dhe do të kufizonte pa arsye organizimin e burimeve gjyqësore nga Shteti në fjalë.
70. Së treti, nuk kishte asgjë as në Schiesser kundër Zvicrës e as në Aquilina kundër Maltës që sugjeronte se organi gjyqësor në Nenin 5 § 3 duhet të ishte identik me atë në Nenin 5 § 1(c). Përkundrazi, Gjykata e kishte bërë të qartë në ato vendime që çështja e rëndësishme ishte nëse ishte zyrtari gjyqësor apo ndonjë zyrtar tjetër ai që kishte pavarësinë e kërkuar nga ekzekutivi dhe palët.
71. Qeveria më tej parashtroi që kërkuesit e kishin keqkuptuar natyrën e shqyrtimit të parë të detyrueshëm sipas Nenit 5 § 3 të Konventës. Së pari, nuk kërkohej që personi i ndaluar sipas Nenit 5 § 1(c) duhet të ketë qenë – ose duhet eventualisht të jetë – i akuzuar (Brogan dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar, 29 nëntor 1988, § 53, Seria A nr. 145‑B). Rrjedhimisht, shpallja e menjëhershme dhe publike e akuzës penale si pjesë e shqyrtimit të ligjshmërisë së mbajtjes sipas Nenit 5 § 3 ishte jo relevante.
72. Së dyti, nuk kishte baza për të arritur në përfundimin që shqyrtimi sipas Nenit 5 § 3 duhej, për shkak të detyrimit automatik, të mbulonte lirimin e të ndaluarit në pritje të gjyqit, me ose pa kushte, për arsye të tjera përveç atyre të ligjshmërisë së mbajtjes ose ekzistencës së dyshimit të arsyeshëm që ai ose ajo e kishte kryer veprën penale (McKay kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar lart, §§ 38 – 39). Kërkesat e Nenit 5 § 3 në lidhje me mbajtjen sipas Nenit 5 § 1(c) dhe kërkesat e Nenit 5 § 3 në lidhje me vazhdimin e mbajtjes paragjyqësore (të cilat nuk përfshinin konsiderimin e lirimit të kushtëzuar) akordonin të drejta të dallueshme dhe ishte e qartë se nuk ishin të lidhura në aspektin logjik ose kohor (temporal) (Medvedyev dhe të Tjerë kundër Francës, cituar lart, § 119). Në çështjen në fjalë, megjithëse mbajtja paragjyqësore e kërkuesve ishte në fazë shumë të hershme, gjyqtari mund të lëshonte vetëm urdhër për mbajtjen e mëtejshme në qoftë se bindej që secili kërkues ishte person që dyshohej me arsye për kryerjen e një vepre terroriste ose që ishte terrorist/e; që kishte baza të arsyeshme për të besuar se mbajtja e mëtejshme e secilit kërkues ishte e nevojshme; dhe që hetimet ishin duke u zhvilluar me zell dhe shpejtësi. Në këto rrethana, nuk ishte e nevojshme që gjyqtari të kishte pushtet shtesë për ta liruar kërkuesin në dorëzani me kusht.
2. Vlerësimi i Gjykatës
(a) Parimet e përgjithshme
73. Gjykata përsërit që Neni 5 i Konventës është në radhën e parë të të drejtave themelore që mbrojnë sigurinë fizike të një individi, dhe që mund të identifikohen tri linja të veçanta që përshkojnë jurisprudencën e Konventës: natyra shteruese e përjashtimeve, të cilat duhet të interpretohen në mënyrë të rreptë dhe tek të cilat nuk ka vend për gamën e gjerë të justifikimeve sipas dispozitave të tjera (veçanërisht Nenet 8 deri në 11 të Konventës); theksi i përsëritur mbi ligjshmërinë e mbajtjes, nga aspekti procedural dhe substancial, duke kërkuar respektimin e përpiktë të sundimit të ligjit; dhe rëndësia e nxitjes ose shpejtësisë së kontrolleve të kërkuara gjyqësore sipas Nenit §§ 3 dhe 4 (shih McKay, cituar lart, § 30).
74. Gjykata shënon rëndësinë e garancive të shtruara nga Neni 5 § 3 për një person të arrestuar. Qëllimi i kësaj dispozite është të sigurojë që personat e arrestuar të sillen fizikisht para një zyrtari gjyqësor menjëherë. Një përpikëri e tillë gjyqësore automatike e shpejtuar ofron një masë të rëndësishme mbrojtjeje kundër sjelljes arbitrare, mbajtjes incommunicado dhe keqtrajtimit (shih, mes autoriteteve të tjera, Brogan dhe të Tjerë, cituar lart, § 58; Brannigan dhe McBride kundër Mbretërisë së Bashkuar, 26 maj 1993, §§ 62‑63, Seria A nr. 258-B; Aquilina kundër Maltës, cituar lart, § 49; dhe Dikme kundër Turqisë, nr. 20869/92, § 66, ECHR 2000‑VIII).
75. Neni 5 § 3, si pjesë e kësaj kornize garancish, është nga aspekti strukturor i lidhur me dy çështje të ndara: fazat e hershme pas arrestimit, kur individi merret nën pushtetin e autoriteteve, dhe periudhën në pritje të gjyqit para gjykatës penale, gjatë së cilës individi mund të mbahet ose të lirohet me ose pa kushte. Këto dy pjesë akordojnë të drejta të dallueshme dhe është e qartë se nuk janë të lidhura nga aspekti logjik ose kohor (temporal) (shih T.W. kundër Maltës [GC], nr. 25644/94, § 49, 29 prill 1999, McKay, cituar lart, § 31 dhe Medvedyev kundër Francës, cituar lart, § 119).
76. Duke zënë vend kryesor në pjesën e saj të parë, praktika gjyqësore e Gjykatës përcakton që duhet të ketë mbrojtje, me anë të kontrollit gjyqësor, të një individi të arrestuar ose të ndaluar "për shkak të dyshimit të arsyeshëm që ka kryer vepër [penale]", që do të thotë, edhe para se të jetë ngritur akuza penale (shih Brogan dhe të Tjerë, cituar lart, § 53). Një kontroll i tillë shërben për të ofruar mbrojtje efektive kundër rrezikut të keqtrajtimit, i cili është më i madh se kurrë në këtë fazë fillestare të heqjes mbase të vazhdueshme të lirisë pas ngritjes së akuzës penale, dhe kundër abuzimit me pushtetet dhënë zyrtarëve të zbatimit të ligjit ose autoriteteve të tjera për arsye që duhet të jenë synime ngushtazi të kufizuara dhe rreptësisht të ushtrueshme në përputhje me procedurat e përshkruara. Kontrolli gjyqësor duhet të përmbushë kriteret e renditura më poshtë (shih McKay, cituar lart, § 32).
(α) Veprimi i menjëhershëm
77. Kontrolli gjyqësor gjatë paraqitjes së parë të individit të arrestuar duhet mbi të gjitha të zhvillohet në mënyrë të menjëhershme, të lejojë pikasjen e ndonjë keqtrajtimi dhe të mbajë në minimum çdo ndërhyrje të pajustifikuar tek liria individuale. Megjithëse secila çështje duhet të vlerësohet sipas tipareve të veta të veçanta (Belousov kundër Ukrainës, nr. 4494/07, § 94, 7 nëntor 2013), afati i ngushtë kohor i caktuar nga ky kriter lë fare pak lakueshmëri në interpretim, përndryshe do të kishte dobësim serioz të një garancie procedurale në dëm të individit dhe rrezik të dëmtimit të vetë thelbit të së drejtës të mbrojtur nga kjo dispozitë (shih Brogan dhe të Tjerë, cituar lart, § 62, ku periudhat prej katër ditë e gjashtë orësh në mbajtje pa dalë para gjyqtarit u konsideruan të ishin në shkelje të Nenit 5 § 3, edhe në kontekstin e veçantë të hetimeve terroriste).
78. Implikimi në Brogan (cituar lart) është që, edhe kur, ashtu si në kontekstin e legjislacionit anti-terrorizëm, ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme ose vështirësi të veçanta që justifikojnë një periudhë më të gjatë sesa normalja para se autoritetet ta sjellin të arrestuarin para gjyqtarit, shqyrtimi i parë duhet të zhvillohet brenda një maksimumi prej katër ditësh pas arrestimit. Në McKay, cituar lart, Gjykata nuk gjeti shkelje të Nenit 5 § 3 të Konventës në rrethanat ku një i dyshuar jo terrorist ishte sjellë para zyrtarit gjyqësor brenda dyzet e tetë orësh pas arrestimit të tij. Po kështu, në Aquilina, cituar lart, Gjykata pranoi që paraqitja e kërkuesit para një Gjyqtari të Shkallës së Parë dy ditë pas arrestimit të tij e kishte përmbushur kriterin e veprimit të menjëhershëm. Megjithatë, ndërkohë që çdo periudhë që i kalon katër ditë është prima facie tepër e gjatë, në rrethana të caktuara edhe periudha më të shkurtra mund të jenë në shkelje të kriterit të veprimit të menjëhershëm (shih Ipek dhe të Tjerë kundër Turqisë, §§ 36-37, në të cilën një periudhë prej tre ditësh e nëntë orësh nuk ishte e menjëhershme aq sa duhej në lidhje me kërkuesit të cilët ishin të mitur; Kandzhov kundër Bullgarisë, nr. 68294/01, § 66, 6 nëntor 2008, në të cilën një periudhë prej tre ditësh e njëzet e tri orësh nuk ishte aq e menjëhershme sa duhej ku kërkuesi, i cili u arrestua për akuza të një vepre jo të dhunshme kundërvajtjeje, tashmë kishte kaluar njëzet e katër orë në paraburgim kur policia i propozoi prokurorit përgjegjës për çështjen që t’i kërkonte gjykatës kompetente që ta vendoste kërkuesin në mbajtje paragjyqësore; dhe Hassan dhe të Tjerë kundër Francës, nr. 46695/10, § 89, 4 dhjetor 2014, në të cilën kërkuesit asokohe ishin mbajtur për periudha të gjata para se të merreshin në paraburgim policor).
(β) Natyra automatike e shqyrtimit
79. Shqyrtimi duhet të jetë automatik dhe nuk duhet të varet nga kërkesa e personit të mbajtur; në këtë aspekt ai duhet të dallohet nga Neni 5 § 4, i cili i jep personit të mbajtur të drejtën për të kërkuar lirimin. Natyra automatike e shqyrtimit është e nevojshme për të përmbushur synimin e atij paragrafi, meqenëse një person që i nënshtrohet keqtrajtimit mund të mos jetë në gjendje të bëjë kërkesë duke kërkuar që një gjyqtar të shqyrtojë mbajtjen e tij/saj; e njëjta gjë mund të vlejë edhe për kategori të tjera personash të lëndueshëm, siç janë personat në gjendje mendore delikate ose personat që nuk njohin gjuhën e zyrtarit gjyqësor (shih Aquilina, cituar lart).
(γ) Karakteristikat dhe pushtetet e zyrtarit gjyqësor
80. Meqenëse Neni 5 § 1(c) formon një të tërë me Nenin 5 § 3, "autoriteti ligjor kompetent" në paragrafin 1(c) është sinonim, në formë të shkurtuar, i "gjyqtarit ose zyrtarit gjyqësor të autorizuar me ligj për të ushtruar pushtet gjyqësor" në paragrafin 3 (shih, mes autoriteteve të tjera, Lawless kundër Irlandës (nr. 3), 1 korrik 1961, Seria A nr. 3, dhe Schiesser, cituar lart, § 29).
81. Zyrtari gjyqësor duhet të ofrojë garancitë e kërkuara të pavarësisë nga ekzekutivi dhe palët, çka e përjashton ndërhyrjen e tij/saj të mëpasme në procedurat penale në emër të autoritetit prokurorial, dhe ai ose ajo duhet të ketë pushtetin për të urdhëruar lirimin, pas dëgjimit të individit dhe shqyrtimit të ligjshmërisë së, dhe justifikimit për, arrestimin dhe mbajtjen (shih, mes shumë autoriteteve të tjera, Assenov dhe të Tjerë kundër Bullgarisë, 28 tetor 1998, §§ 146 dhe 149, Raporte 1998-VIII). Për sa i përket fushëveprimit të atij shqyrtimi, formulimi i cili ka qenë në bazë të praktikës së gjatë gjyqësore të Gjykatës daton që nga çështja e hershme Schiesser (cituar lart, § 31):
“Përveç kësaj, sipas Nenit 5 § 3, ekziston kriteri procedural dhe kriteri substancial. Kriteri procedural cakton mbi ‘zyrtarin’ detyrimin për ta dëgjuar vetë individin e sjellë para tij [...]; kriteri substancial i cakton atij detyrimet për të shqyrtuar rrethanat pro ose kundër mbajtjes, për të vendosur, duke u mbështetur mbi kriteret ligjore, nëse ka arsye për mbajtje dhe për të urdhëruar lirimin në qoftë se nuk ka arsye të tilla [...]."
82. Me fjalë të tjera, "Neni 5 § 3 kërkon që zyrtari gjyqësor të konsiderojë themelet e mbajtjes" (shih T.W. kundër Maltës dhe Aquilina, të dyja cituar lart, § 41 dhe § 47 respektivisht).
83. Shqyrtimi fillestar automatik i arrestimit dhe mbajtjes rrjedhimisht duhet të jetë në gjendje të ekzaminojë çështjet e ligjshmërisë dhe faktin nëse ka dyshime të arsyeshme që personi i arrestuar ka kryer vepër; me fjalë të tjera, nëse mbajtja hyn brenda përjashtimeve të lejuara nga Neni 55 § 1(c). Kur ajo nuk hyn aty, ose kur ajo është e paligjshme, zyrtari gjyqësor atëherë duhet të ketë pushtetin për të liruar (shih McKay, cituar lart, § 40).
84. Megjithatë, një shqyrtim i praktikës gjyqësore përkatëse nuk jep baza për të arritur në përfundimin që shqyrtimi duhet, si detyrim automatik, të mbulojë lirimin e kërkuesit në pritje të gjyqit, me ose pa kushte, për arsye të tjera përveç ligjshmërisë së mbajtjes ose ekzistencës së dyshimit të arsyeshëm që kërkuesi ka kryer vepër penale. Prandaj nuk ka asgjë që sugjeron që, duke iu referuar në vendimin a saj në Schiesser "rrethanave që janë pro ose kundër mbajtjes", Gjykata ka bërë më shumë sesa thjesht ka treguar që zyrtari gjyqësor do të duhej ta kishte pushtetin për të shqyrtuar ligjshmërinë e arrestimit dhe mbajtjes sipas të drejtës vendase dhe pajtueshmërisë së saj me kriteret e Nenit 5 § 1(c) (McKay, cituar lart, § 36).
85. Gjykata ka shënuar në disa raste që hetimi i veprave terroriste pa dyshim që paraqet probleme të veçanta për autoritetet (shih Brogan dhe të Tjerë, cituar lart, § 61; Murray kundër Mbretërisë së Bashkuar, 28 tetor 1994, § 58, Seria A nr. 300-A; dhe Aksoy kundër Turqisë, 18 dhjetor 1996, § 78, Raporte 1996-VI). Në Brogan dhe të Tjerë (cituar lart, § 61) Gjykata në mënyrë të veçantë njohu që "vështirësitë ... e kontrollit gjyqësor mbi vendimet për të arrestuar dhe mbajtur terroristët e dyshuar mund të ndikojnë tek mënyra e zbatimit të Nenit 5 § 3, për shembull, duke kërkuar që të merren masat e nevojshme procedurale duke pasur parasysh natyrën e veprave të dyshuara. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që autoritetet hetimore kanë "carte blanche" sipas Nenit 5 për të arrestuar të dyshuarit për marrje në pyetje, të lirë prej kontrollit efektiv nga gjykatat vendase dhe, përfundimisht, nga institucionet mbikëqyrëse të Konventës, kurdo ata zgjedhin të pohojnë që bëhet fjalë për terrorizëm (shih Öcalan kundër Turqisë [GC], nr. 46221/99, § 104, ECHR 2005‑IV).
(δ) Periudha paragjyqësore ose mbajtja para gjyqit
86. Prezumimi është në favor të lirimit. Siç është përcaktuar në Neumeister kundër Austrisë (27 qershor 1968, f. 37, § 4, Seria A nr. 8), pjesa e dytë e Nenit 5 § 3 nuk u jep autoriteteve gjyqësore zgjedhje mes të sjellurit të të akuzuarit në gjyq brenda një periudhe kohore të arsyeshme ose dhënies së lirimit të tij të përkohshëm në pritje të gjyqit. Deri në kohën e dënimit, ai ose ajo duhet të prezumohet i pafajshëm ose e pafajshme, dhe qëllimi i dispozitës që po merret në konsideratë në thelb është që të kërkohet lirimi i tij/saj i përkohshëm pasi që mbajtja e vazhduar ka pushuar që qeni e arsyeshme.
87. Prandaj mbajtja e vazhduar mund të justifikohet në një çështje të dhënë vetëm në qoftë se ka tregues të veçantë të kërkesave reale të interesit publik të cilat, pavarësisht nga prezumimi i pafajësisë, peshojnë më shumë sesa rregulla e respektit për lirinë individuale e përcaktuar nga Neni 5 i Konventës (shih, mes autoriteteve të tjera, Kudła kundër Polonisë [GC], nr. 30210/96, §§ 110 et seq., ECHR 2000‑XI).
88. Vazhdimësia e dyshimit të arsyeshëm që personi i arrestuar ka kryer vepër është kusht sine qua non për ligjshmërinë e mbajtjes së vazhduar, por me kalimin e kohës kjo nuk do të jetë më e mjaftueshme për të arsyetuar mbajtjen e vazhduar. Gjykata nuk është përpjekur ta përkthejë këtë koncept në një numër të fiksuar ditësh, javësh, muajsh ose vitesh, apo në periudha të caktuara varësisht nga serioziteti i veprës (Stögmüller kundër Austrisë, nr. 1602/62, § 4, 10 nëntor 1969). Kur ekzistenca e "dyshimit të arsyeshëm" nuk mjafton më, Gjykata duhet të përcaktojë nëse bazat e tjera të dhëna nga autoritetet gjyqësore kanë vazhduar të justifikonin heqjen e lirisë. Në mënyrë të veçantë, ajo duhet të përcaktojë nëse baza të tilla ishin "relevante" dhe "të mjaftueshme", dhe nëse autoritetet vendase kanë treguar "zell të veçantë" gjatë zhvillimit të procedurave (shih, mes autoriteteve të tjera, Letellier kundër Francës, 26 qershor 1991, § 35, Seria A nr. 207, dhe Yağcı dhe Sargın kundër Turqisë, 8 qershor 1995, § 50, Seria A nr. 319‑A).
89. Praktika gjyqësore e Gjykatës nuk ka pasur ende rast të marrë në konsideratë fazën shumë të hershme të mbajtjes paragjyqësore në këtë kontekst, me sa duket për shkak se, në shumicën dërrmuese të rasteve, ekzistenca e dyshimit ofron bazë të mjaftueshme për mbajtje dhe pamundësia e dorëzanisë nuk është kontestuar seriozisht. Megjithatë, nuk dyshohet që duhet të ekzistojë mundësia e konsiderimit gjyqësor të lirimit në pritje të gjyqit sepse edhe në këtë fazë ka raste kur natyra e veprës ose rrethanat personale të kryesit të dyshuar janë të tilla që e bëjnë mbajtjen të paarsyeshme, ose të pambështetur nga baza relevante ose të mjaftueshme. Nuk ka kërkesa të shprehura të "veprimit të menjëhershëm" si në fjalinë e parë të paragrafit 3 të Nenit 5. Megjithatë, një konsideratë e tillë, pavarësisht nëse bëhet me kërkesë të kërkuesit ose të gjyqtarit me mocion të vet, duhet të ndodhë me shpejtësinë e duhur, në mënyrë që çdo heqje e pajustifikuar e lirisë të jetë në minimum të pranueshëm (shih McKay, cituar lart, § 46).
90. Për të siguruar që e drejta e garantuar është praktike dhe efektive, jo teorike dhe iluzore, është jo vetëm praktikë e mirë por edhe tepër e dëshirueshme për të minimizuar vonesat që zyrtari gjyqësor që zhvillon shqyrtimin e parë automatik të ligjshmërisë dhe ekzistencës së bazës për mbajtje gjithashtu të ketë edhe kompetenca për shqyrtimin e lirimit me dorëzani. Megjithatë, kjo nuk është kërkesë e Konventës dhe në parim nuk ka arsye përse çështjet të mos trajtohen nga dy zyrtarë gjyqësorë, brenda kornizës kohore të kërkuar. Sidoqoftë, si çështje interpretimi, nuk mund të kërkohet që shqyrtimi i dorëzanisë të ndodhë me shpejtësi më të madhe sesa kërkohet për shqyrtimin e parë automatik, të cilin Gjykata e ka identifikuar të jetë maksimumi katër ditë (shih Brogan dhe të Tjerë, cituar lart).
(b) Zbatimi i parimeve të përgjithshme në çështjen konkrete
(α) A janë sjellë kërkuesit menjëherë para një gjyqtari apo zyrtari tjetër gjyqësor duke përmbushur kriteret e Nenit 5 § 3 të Konventës?
91. Megjithëse, siç shënohet lart (në paragrafin 80), "autoriteti ligjor kompetent" në paragrafin 1(c) të Nenit 5 § 3 duhet të merret si sinonim i "gjyqtarit ose zyrtarit tjetër ligjor të autorizuar me ligj për të ushtruar pushtet gjyqësor" në paragrafin 3, nuk rrjedh që organet gjyqësore që duhet të zhvillojnë funksionet e ndryshme gjyqësore të parashikuara nga dy dispozitat duhet të jenë domosdoshmërisht identike. Përkundrazi, gjatë praktikës së saj Gjykata ka theksuar në mënyrë të përsëritur se qëllimi specifik i pjesës së parë të Nenit 5 § 3 kufizohet vetëm me garantimin që një person i ndaluar të sillet menjëherë para një autoriteti gjyqësor me pushtet për të vlerësuar ligjshmërinë e arrestimit, për të shqyrtuar themelet e mbajtjes, dhe për të urdhëruar lirimin në qoftë se mbajtja e vazhduar do të ishte e paligjshme. Kur ndodh kështu, Gjykata ka gjetur që kriteret e caktuara nga pjesa e parë e Nenit 5 § 3 janë përmbushur. Rrjedhimisht, ajo konsideron që pyetja e saktë në çështjen në fjalë nuk është nëse kërkuesit duhet të ishin sjellë para Gjykatës së Shkallës së Parë, autoriteti gjyqësor në Irlandën Veriore para të cilit duhet të sillet i akuzuari në paraqitjen e parë pas ngritjes së akuzës penale, por nëse ata faktikisht janë sjellë para një gjyqtari ose zyrtari tjetër duke përmbushur kriterin e pjesës së parë të Nenit 5 § 3 të Konventës lidhur me një heqje fillestare të lirisë të llojit që mbulohet nga Neni 5 § 1(c).
92. Para se të merret me këtë çështje, Gjykata vëren se gjatë mbajtjes së tyre kërkuesit janë sjellë dy herë para një Gjyqtari të caktuar të Gjykatës Krahinore: dyzet e tetë orë pas arrestimit të tyre, kur DPP bëri kërkesa për urdhër për mbajtjen e tyre të mëtejshme sipas paragrafit 29 të Shtojcës 8, dhe pas pesë ditësh, kur DPP bëri kërkesa sipas paragrafit 36 të Shtojcës 8 për vazhdimin e atyre urdhrave (shih paragrafët 6-8 dhe 33 lart). Megjithëse ishte urdhri sipas paragrafit 36 të cilin kërkuesit më pas e kontestuan me anë të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata e Lartë u shpreh që paragrafi 32, i cili parashtron bazat për dhënien e urdhrit për mbajtje të mëtejshme, duhet të interpretohej në përputhje me Nenin 5 § 3 të Konventës (shih paragrafët 19 dhe 21 lart). Prandaj Gjykata do të vazhdojë duke u bazuar mbi faktin që nuk ka dallim mes kompetencës së gjyqtarit nga paragrafi 29 dhe gjyqtarit nga paragrafi 36.
93. Për sa i përket kriterit të "veprimit të menjëhershëm", Gjykata shënon që në çështjen në fjalë kërkuesit ishin të rritur që u sollën para një gjyqtari brenda dyzet e tetë orëve pas arrestimit të tyre për dyshimin që kishin kryer krim të rëndë të lidhur me terrorizmin. Duke pasur parasysh parimet e përcaktuara në paragrafët 77 dhe 78 lart, Gjykata pranon që ata u sollën para gjyqtarit në mënyrë "të menjëhershme".
94. Kriteri i dytë i Nenit 5 § 3 është që paraqitja e parë e personit të ndaluar para zyrtarit gjyqësor duhet të jetë automatike. Në rastin konkret kërkuesit nuk kanë kërkuar të diskutojnë të kundërtën. Policëve u kërkohej nga paragrafi 29 i Shtojcës 8 të Ligjit të vitit 2000 që t’i bënin kërkesë Gjyqtarit të Gjykatës Krahinore që ta vazhdonte periudhën fillestare të mbajtjes përtej dyzet e tetë orëve (shih paragrafin 32 lart); prandaj kërkuesit nuk kanë mundur të mbahen më gjatë se dyzet e tetë orë pa dalë më parë para gjyqtarit.
95. Së treti, Gjykata është shprehur në mënyrë të përsëritur që zyrtari gjyqësor në Nenin 5 § 3 të Konventës duhet të ofrojë garancitë e kërkuara të pavarësisë nga ekzekutivi dhe palët; ai ose ajo duhet të jetë në gjendje të shqyrtojë ligjshmërinë e, dhe justifikimin për, arrestimin dhe mbajtjen (duke përfshirë një rishikim të rrethanave pro ose kundër mbajtjes në mënyrë që të vendoset nëse ka pasur arsye për justifikimin e mbajtjes); dhe, në qoftë se ka pasur arsye të pamjaftueshme për të justifikuar mbajtjen, ai ose ajo duhet të ketë pushtetin për të urdhëruar lirimin.
96. Kuptohet që Gjyqtari i Gjykatës Krahinore ka qenë i pavarur. Prandaj, dy çështjet kryesore që duhet të trajtojë Gjykata janë së pari, nëse ajo ka pasur juridiksionin e duhur për të shqyrtuar ligjshmërinë e mbajtjes së kërkuesve; dhe së dyti, nëse ajo ka pasur pushtetin e nevojshëm për të urdhëruar lirimin e tyre.
97. Megjithëse Gjykata e Lartë u shpreh që paragrafi 32 duhet të interpretohej në përputhje me Nenin 5 § 3 (shih paragrafët 19 dhe 21 lart), kërkuesit kanë problem me sugjerimin e saj të mëpasëm që shqyrtimi i ligjshmërisë së arrestimit nuk ka nevojë të përfshijë një analizë të hollësishme të bazës së vendimit për arrestim dhe duhet të pasqyrojë kufizimet që domosdoshmërisht zbatohen në shumë arrestime për vepra terrorizmi.
98. Gjykata vëren që këshillimi i dhënë nga Gjykata e Lartë është dhënë në formë abstrakte dhe, si i tillë, nuk ka pasur mundësi të shohë se si do të zbatohej para gjykatave vendase në praktikë. Pavarësisht nga kjo, në parim Gjykata nuk sheh asgjë në vendimin e Gjykatës së Lartë që kundërshton vetë jurisprudencën e saj. Në mënyrë të veçantë, ajo shënon që në çështjet e mëparshme ajo nuk e ka përkufizuar përmbajtjen dhe/ose formën e saktë të analizës së kërkuar nga Neni 5 § 3; përkundrazi, ajo thjesht ka deklaruar që zyrtari gjyqësor duhet të jetë në gjendje të shqyrtojë ligjshmërinë e, dhe justifikimin për, arrestimin dhe paraburgimin, të analizojë rrethanat pro ose kundër mbajtjes, përfshirë ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm, dhe të vendosë nëse ka arsye që justifikojnë mbajtjen. Për më tepër, siç shënohet lart (në paragrafin 83), ndërkohë që ajo ka deklaruar që autoritetet nuk kanë "carte blanche" kur kryejnë hetime rreth veprave terroriste, ajo ka njohur në mënyrë specifike problemet e veçanta që hetimet për vepra të tilla paraqesin për autoritetet. Prandaj, për sa u përket provave që ka përpara, Gjykata nuk mund të jetë dakord me kërkuesit që shqyrtimi i parashikuar nga Gjykata e Lartë si i përfshirë në legjislacionin e kundërshtuar nuk do të përmbushte standardin e kërkuar nga Neni 5 § 3 i Konventës.
99. Në çështjen në fjalë Gjykata e Lartë, duke prishur vazhdimet e mbajtjeve nga Gjyqtarja e Gjykatës Krahinore për shkak të dështimit të saj për të adresuar ligjshmërinë fillestare të arrestimit, qe e bindur që Gjyqtarja e Gjykatës Krahinore nuk kishte dështuar të merrte parasysh nevojshmërinë e mbajtjes si bazë për dhënien e urdhrit dhe që vendimi i saj ishte arsyetuar në mënyrë të përshtatshme (shih paragrafët 19-21 lart).
100. Për sa i përket çështjes nëse Gjyqtarja e Gjykatës Krahinore e ka pasur pushtetin për të urdhëruar lirimin në rast arrestimi ose mbajtjeje të paligjshme, Gjykata rikujton se ndërkohë që një pushtet i tillë nuk është cekur shprehimisht në Ligjin e vitit 2000, në çështjen në fjalë Gjykata e Lartë pranoi që meqenëse dispozitat e Ligjit duhet të lexoheshin në përputhje me kriteret e Nenit 5 § 3 të Konventës, Gjyqtarja e Gjykatës Krahinore duhet ta ketë pushtetin për të urdhëruar lirimin në qoftë se nuk ka bazë ligjore për arrestimin fillestar ose për vazhdimin e mbajtjes (shih paragrafët 19 dhe 21 lart). Përveç kësaj, ajo shënon që kur një urdhër (ose urdhër i mëtejshëm) nuk kërkohet ose nuk jepet, personi duhet të lirohet sepse nuk ka më bazë ligjore për mbajtjen e vazhduar.
101. Kërkuesit kanë sugjeruar që Gjyqtarja e Gjykatës Krahinore gjithashtu duhet ta kishte pasur pushtetin për të urdhëruar lirimin me kusht. Megjithatë, siç shënohet në paragrafin 84 lart, nuk ka mbështetje në praktikën gjyqësore të Gjykatës për pohimin e kërkuesve që autoriteti gjyqësor që zhvillon shqyrtimin e parë të heqjes së lirisë duhet të kishte pasur pushtetin për të urdhëruar lirimin me kusht. Gjykata deklaroi në McKay (cituar lart, § 47) që do të ishte "tepër e dëshirueshme" që zyrtari gjyqësor që zhvillonte shqyrtimin e parë automatik të ligjshmërisë gjithashtu të kishte kompetenca për marrjen në konsideratë të lirimit me dorëzani për arsye të tjera përveç ligjshmërisë së mbajtjes apo ekzistimit të dyshimit të arsyeshëm që kërkuesi kishte kryer vepër penale, por theksoi që ky nuk ishte kriter i Konventës dhe në parim nuk kishte arsye pse çështjet të mos trajtoheshin nga dy zyrtarë gjyqësorë.
(β) A duhet të kishte pasur mundësi për lirim me kusht gjatë periudhës së mbajtjes së kërkuesve?
102. Pas shqyrtimit të parë të mbajtjes së tyre kërkuesit u mbajtën në polici edhe për dhjetë ditë të tjera. Megjithëse ata u sollën për herë të dytë para një Gjyqtari të Gjykatës Krahinore pasi ishin mbajtur për shtatë ditë, pranohet që në asnjë moment të mbajtjes së tyre ata nuk janë sjellë para një gjyqtari me pushtet për të urdhëruar lirimin me kusht. Prandaj kërkuesit janë ankuar që për sa i përket skemës sipas Shtojcës 8 të Ligjit të vitit 2000 që lejonte mbajtjen e tyre për maksimumi njëzet e tetë ditë pa akuza, gjatë të cilave lirimi i tyre me kusht nuk duhet të merrej në konsideratë, ajo nuk ishte në pajtueshmëri me Nenin 5 § 3 të Konventës.
103. Gjykata nuk mund ta konsiderojë skemën nga Shtojca 8 in abstracto; përkundrazi, ajo duhet të kufizohet brenda fakteve të çështjes që ka përpara. Prandaj, megjithëse kërkuesit mund të ishin mbajtur për maksimumi njëzet e tetë ditë, ajo nuk mund të anashkalojë faktin që në rastin konkret ata janë liruar pas dymbëdhjetë ditësh. Për më tepër, ajo nuk e konsideron mungesën e akuzave eventuale si diçka materiale; asgjë në Nenin 5 § 3 nuk sugjeron që të mbajturit duhet të akuzohen për vepra penale në mënyrë që mbajtja e tyre të jetë në pajtueshmëri me atë dispozitë (Brogan, cituar lart, § 53).
104. Siç shënohet në paragrafin 75 lart, Neni 5 § 3 nga aspekti strukturor ka të bëjë me dy çështje të ndara të cilat akordojnë të drejta të dallueshme dhe të cilat nuk janë të lidhura nga aspekti kohor (temporal): fazat e hershme pas arrestimit për dyshime të kryerjes së një vepre penale, dhe periudha në pritje të gjyqit para një gjykate penale, gjatë së cilës individi mund të mbahet ose të lirohet me ose pa kushte (shih T.W. kundër Maltës, cituar lart, § 49, McKay, cituar lart, § 31 dhe Medvedyev kundër Francës, cituar lart, § 119). Gjatë fazës fillestare sipas pjesës së parë të Nenit 5 § 3, mbajtja e të ndaluarit mund të justifikohet me ekzistencën, në vetvete, të një “dyshimi të arsyeshëm” që ai ka kryer vepër penale. Megjithatë, vazhdimësia e dyshimit nuk mjafton për të justifikuar, pasi kalon njëfarë kohe, zgjatjen e mbajtjes, megjithëse Gjykata nuk është përpjekur ta përkthejë këtë koncept në një numër të fiksuar ditësh, javësh, muajsh apo në periudha të ndryshme varësisht nga pesha e veprës (Stögmüller kundër Austrisë, cituar lart, § 4). Prandaj i takon Gjykatës në këtë rast të vendosë nëse kërkuesit kanë qenë në mbajtje gjatë tërë kohës në përputhje me pjesën e parë të Nenit 5 § 3, apo nëse në një moment mbajtja e tyre e vazhduar nuk ka mundur të justifikohej më nga ekzistimi i “dyshimit të arsyeshëm”.
105. Në çështjen konkrete kërkuesit janë mbajtur për dymbëdhjetë ditë, çka ishte periudhë relativisht e shkurtër kohore. Kështu, Gjykata konsideron që ata kanë qenë gjatë tërë kohës në “fazat e hershme” të heqjes së lirisë, kur mbajtja e tyre mund të justifikohej nga ekzistimi i dyshimit të arsyeshëm që ata kishin kryer vepër penale; prandaj, nuk ishte e nevojshme që të merrej në konsideratë lirimi i tyre me kusht gjatë kësaj periudhe.
106. Sidoqoftë, Gjykata shënon që gjatë periudhës së mbajtjes së tyre ka pasur disa mbrojtje në dispozicion për të mbrojtur kërkuesit kundër mbajtjes arbitrare. Së pari, sipas skemës së Shtojcës 8 gjyqtari mund ta vazhdonte mbajtjen vetëm për maksimumi shtatë ditë dhe e tërë periudha nuk mund t’i kalonte njëzet e tetë ditë. Para dhënies së vazhdimit gjyqtarja duhet të bindej që kishte baza të arsyeshme për të besuar se mbajtja e mëtejshme ishte e nevojshme dhe që hetimet ishin duke u zhvilluar me zell dhe shpejtësi (shih paragrafin 36 lart). Më tej, pas vendimit të Gjykatës së Lartë, gjyqtarja gjithashtu duhet të ishte e bindur që arrestimi ishte i ligjshëm dhe të merrte në konsideratë themelet e mbajtjes. Megjithëse në disa raste të ndaluarit dhe/ose përfaqësuesit e tyre mund të përjashtoheshin nga seancat, në rastin konkret kërkuesi i parë dha dëshmi nën betim gjatë shqyrtimit të parë (shih paragrafin 8 lart). Në fund, kërkuesit patën mundësinë të kontestonin mbajtjen e tyre të vazhdueshme me anë të shqyrtimit gjyqësor.
107. Për çdo vazhdim që do të zgjaste mbajtjen përtej katërmbëdhjetë ditëve kishte në dispozicion mbrojtje më të sigurta; megjithatë, kjo nuk qe e nevojshme në çështjen në fjalë sepse kërkuesit u liruan pas dymbëdhjetë ditësh.
108. Duke pasur parasysh faktorët e përmendur lart, Gjykata nuk konsideron që mungesa e mundësisë së lirimit me kusht gjatë periudhës së heqjes së lirisë së kërkuesve ka ngritur ndonjë çështje nga Neni 5 § 3 i Konventës.
(γ) Përfundim
109. Konsideratat e mësipërme janë të mjaftueshme për t’i mundësuar Gjykatës të arrijë në përfundimin që mbajtja e kërkuesve sipas Shtojcës 8 të Ligjit të vitit 2000 nuk ka shkelur Nenin 5 § 3 të Konventës.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, NJËZËRI
1. I bashkon kërkesat nr. 26289/12 dhe nr. 29891/12 të depozituara përkatësisht nga kërkuesi i parë dhe kërkuesja e tretë;
...
5. Vendos që nuk ka pasur shkelje të Nenit 5 § 3 të Konventës.
E bërë në anglisht, dhe e shpallur me shkrim më 12 maj 2015, në përputhje me Nenin 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Françoise Elens-PassosPäivi Hirvelä
KancelarKryetar
© Këshilli i Europës/Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, 2015.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Europës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015.
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
[1] Ang. Magistrate (shën. i përkth.)
[2] Ang. Court of Magistrates (shën. i përkth.)
Full & Egal Universal Law Academy