Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut
SEKSIONI I IV
ÇËSHTJA MAGEE DHE TË TJERË KUNDËR MBRETËRISË SË BASHKUAR
(Kërkesat nr. 26289/12, 29062/12 dhe 29891/12)
VENDIM
STRASBURG
12 Maj 2015
PËRFUNDIMTAR
12/08/2015
Vendimi ka marrë formë të prerë në përputhje me Nenin 44 § 2 të Konventës. Mund të jetë subjekt i rishikimit redaktues.
Në çështjen e Magee dhe të tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i katërt), me trup gjykues të përbërë nga:
Päivi Hirvelä, Kryetar,
George Nicolaou,
Ledi Bianku,
Nona Tsotsoria,
Paul Mahoney,
Krzysztof Wojtyczek,
Faris Vehabović,gjyqtarë,
dhe Françoise Elens-Passos, Kancelar Seksioni,
Diskutuar në seancë private më 14 Prill 2015,
Jepet vendimi i mëposhtëm, i cili u miratua në të njëjtën datë:
PROCEDURA
1. Çështja e ka zanafillën në tre kërkesa (nr. 26289/12, 29062/12 dhe 29891/12) kundër Mbretërisë së Bashkuar, Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut të depozituara në Gjykatë sipas nenit 34 të Konventës “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”("Konventa") nga tre shtetas irlandez, Z.Gabriel Magee, Z.Colin Francis Duffy dhe Znj.Teresa Magee ("paditësit"), respektivisht më 1 maj 2012, 14 maj 2012 dhe 10 maj 2012.
2. Kërkuesit e parë dhe të dytë përfaqësoheshin nga KRWLAW- LLP, zyrë avokatie me seli në Belfast. Kërkuesi i tretë u përfaqësua nga Z. P. Moriarty e O’Connor & Moriarty Solicitors, zyrë e cila ushtron aktivitetin në Lurgan. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ("Qeveria") u përfaqësua nga Znj.M.Addis, Agjentja e Zyrës së Jashtme dhe Commonwealthit.
3. Pretendimet e kërkuesve të parë dhe të dytë i janë komunikuar Qeverisë më 25 Shtator 2012. Pretendimet e kërkuesit të tretë i janë komunikuar Qeverisë më 7 Nëntor 2012. Kërkuesit dhe Qeveria paraqitën vërejtje për pranueshmërinë dhe themelin e kërkimeve (Rregulli 59 § 1).
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
4. Kërkuesi i parë ka lindur në vitin 1972 dhe jeton në Belfast. Kërkuesi i dytë ka lindur në vitin 1967 dhe jeton në Lurgan. Kërkuesi i tretë ka lindur në vitin 1978 dhe jeton në Craigavon.
A. Kërkuesi i parë dhe i tretë
5. Më 14 Mars 2009, kërkuesi i parë dhe i tretë u arrestuan në bazë të nenit 41 të Aktit të Terrorizmit 2000 ("Akti 2000"), të dyshuar për përfshirje në vrasjen e një polici më 9 Mars 2009. Ata u arrestuan në të njëjtën ditë në rajonin e policisë në Antrim. Kërkuesi i parë u intervistua dy herë më 15 Mars 2009 dhe një herë më 16 Mars 2009; kërkuesi i tretë u intervistua tri herë më 15 Mars 2009 dhe një herë më 16 Mars 2009.
6. Më 16 Mars 2009, Prokurori i Përgjithshëm ("DPP") bëri kërkesë në Gjykatën e Qarkut sipas paragrafit 29 të Shtojcës 8 të Aktit të vitit 2000 për urdhër-ndalimi të mëtejshëm të dy kërkuesve në mënyrë që vazhdonin me marrjen në pyetje dhe të procedonin me ekzaminimet mjeko-ligjore. Kërkuesi i parë dëshmoi nën betim gjatë seancës. Pas seancës dëgjimore, Gjyqtari aprovoi urdhërin e ndalimit, i cili autorizonte një zgjatje pesë-ditore të afatit të paraburgimit.
7. Secili prej kërkuesve u intervistua rreth dymbëdhjetë herë në pesë ditët në vijim.
8. Më 21 Mars 2009, DPP bëri kërkesë në Gjykatën e Qarkut, sipas paragrafit 36 të Shtojcës 8 të Aktit të vitit 2000 për zgjatje shtatë-ditore të periudhës së paraburgimit të përcaktuar në urdhërin e mëparshëm. Zgjatjet u kërkuan në mënyrë që të lehtësonin marrjen në pyetje të kërkuesve, pasi të përfundonin rezultatet shtesë të testeve mjeko-ligjore. Në seancat e veçanta, më 22 Mars të vitit 2009, një inspektor policie dëshmoi nën betim lidhur me domosdoshmërinë e zgjatjes së periudhës së paraburgimit për kërkuesit e parë dhe të tretë.
9. Pas seancave, e Nderuara Gjyqtare Philpott QC doli me vendim në lidhje me kërkuesin e parë dhe vendim ex tempore në lidhje me kërkuesin e tretë. Ajo, në të dy vendimet, autorizoi vazhdimin e periudhës së paraburgimit deri në orën 7.20 të datës 28 Mars 2009 për kërkuesin e parë dhe deri në orën 5.52 të datës 28 Mars 2009 për kërkuesin e tretë. Në arsyetimin e saj, gjyqtarja Philpott vuri në dukje se, provat përkatëse mjeko-ligjore ishin themelore për hetimin dhe se hetimi është duke u kryer me kujdesin dhe shpejtësinë e duhur.
10. Në vendimin e mësipërm, gjyqtarja Philpott shqyrtoi nëse Akti 2000 ose Neni 5 i Konventës i jepte gjykatës të drejtë (në mënyrë të shprehur apo të nënkuptuar) të vendoste nëse janë apo jo të nevojshme zgjatjet e afateve të paraburgimit, si dhe të drejtën për të shqyrtuar ligjshmërinë e arrestimit ose dhëniessë lirimit me kusht. Ajo arriti në përfundimin se, Akti 2000 i jepte gjyqtarit vetëm të drejtën për të vendosur nëse janë apo jo të nevojshme zgjatjet e afateve të paraburgimit. Për pasojë, gjyqtarja vendosi se kompetenca e saj kufizohej vetëm në gjykimin nëse ishte apo jo e nevojshme shtyrja e afatit të paraburgimit për qëllime të hetimit të çështjes përtej dyzet e tetë orëve, ndërsa për çdo çështje tjetër, përfshirë ligjshmërinë e arrestimit ishte kompetente Gjykata e Lartë, si në procedurat e Habeas Corpus, edhe në ato të rishikimit gjyqësor.
B. Kërkuesi i dytë
11. Më 14 Mars 2009, kërkuesi i dytë u arrestua në bazë të Nenit 41 të Aktit 2000, mbi dyshimin për përfshirje në vrasjen e dy ushtarëve në kazermën Masserene, Antrim, më 7 Mars 2009. Ai u arrestua në të njëjtën ditë në Komisariatin e Policisë në Antrim.
12. Më 15 Mars 2009, DPP bëri kërkesë në Gjykatën e Qarkut sipas paragrafit 29 të Shtojcës 8 të Aktit të vitit 2000 për shtyrjen e afatit të urdhërit të ndalimit, pasi po procedonin me kryerjen e testeve mjeko-ligjore.
13. Pas seancës së 16 Marsit 2009 Gjyqtari i Gjykatës së Qarkut autorizoi shtyrje pesë-ditore të afatit të paraburgimit.
14. Kërkuesi i dytë u intervistua rreth dymbëdhjetë herë në pesë ditët në vijim. Megjithatë, as intervistat dhe as rezultatet e testeve mjeko-ligjore nuk dhanë ndonjë provë që lidhte kërkuesin e dytë me vrasjen e dy ushtarëve.
15. Më 21 Mars 2009, DPP bëri kërkesë në Gjykatën e Qarkut sipas paragrafit 36 të Shtojcës 8 të Aktit të vitit 2000 për zgjatje shtatë-ditore të periudhës së paraburgimit të përcaktuar në urdhërin e mëparshëm. Zgjatja u kërkua pasi pas shtatë ditësh përfundonin rezultatet e testeve mjeko-ligjore, të cilat ishin dërguar në një laborator në Britaninë e Madhe. Gjithashtu ndalimi u konsiderua i nevojshëm për të siguruar marrjen e mëtejshme në pyetje dhe, në qoftë se kishte prova të mjaftueshme të ngriheshin akuza.
16. Më 21 Mars 2009 Gjyqtarja Philpott aprovoi kërkesën, duke autorizuar zgjatjen periudhës së paraburgimit të kërkuesit të dytë deri në orën 7.20 të datës 28 Mars 2009.
C. Procedimi i bashkuar
17. Kërkuesit kërkuan leje për të aplikuar për rishqyrtim të vendimit gjyqësor të 21 dhe 22 Marsit 2009 të Gjyqtares Philpott lidhur me urdhërin që autorizonte zgjatjen e mëtejshme të afatit të paraburgimit të tyre. Ata parashtruan së pari se, gjyqtarja Philpott kishte arritur në përfundimin e gabuar se gjykata mund të vendosë nëse duhet të zgjatet apo jo afati i paraburgimit, pa patur kompetencë të vendoste mbi hetimin e ligjshmërisë së arrestit; së dyti, gjyqtarja kishte dështuar për t’i dhënë përgjigje pyetjes nëse ishte e nevojshme mbajtja në paraburgim e kërkuesve, ndërkohë që rezultatet e ekzaminimeve mjeko-ligjore ishin ende duke u kryer; së treti, gjyqtarja kishte dështuar të arsyetonte në vendimin e saj se pse ishte i nevojshëm paraburgimi; dhe së fundi, Shtojca 8 e Aktit 2000 ishte e papajtueshme me Nenin 5 të Konventës.
18. Leja për të aplikuar për rishqyrtim gjyqësor u sigurua nga Gjykata e Lartë e Irlandës së Veriut më 24 Mars 2009 dhe Gjykata e Lartë dëgjoi kërkesat më 25 Mars 2009.
19. Në lidhje me parashtresat e para të kërkuesve, Gjykata e Lartë vendosi se paragrafët 5 dhe 32 të Shtojcës 8 të Aktit të vitit 2000 duhej të lexoheshin në përputhje me kërkesat e Nenit 5 § 3 të Konventës, sikurse interpretohet në jurisprudencën e Gjykatës. Kështu, shqyrtimi i ligjshmërisë së paraburgimit duhet të bëhet duke analizuar shkakun e paraburgimit, në të kundërt një person mund të ndalohet në bazë të Aktit të vitit 2000 deri në njëzet e tetë ditë pa pasur të drejtën e rishqyrtimit gjyqësor të ligjshmërisë së paraburgimit dhe për pasojë nuk mund të bëjë ankesë në përputhje me Konventën. Prandaj, Gjykata e Lartë konstatoi se, gjyqtarja Philpott kishte gabuar duke mos shqyrtuar ligjshmërinë e arrestimit të kërkuesve dhe, si pasojë, vendimi i saj për zgjatje të afatit të paraburgimit duhet të prishet. Megjithatë, Gjykata pranoi se, shqyrtimi i ligjshmërisë së arrestimit nuk duhet të përfshijë një analizë të detajuar të shkaqeve të arrestimit dhe duhet të pasqyrojnë kufizimet që domosdoshmërisht zbatohen në shumë arrestime për vepra terroriste.
20. Në lidhje me parashtresat e dyta dhe të treta të kërkuesve, Gjykata e Lartë vendosi se edhe pse gjyqtarja nuk ishte përqendruar në faktin nëse kërkuesit duhet të mbaheshin në paraburgim apo të liroheshin e të ishin në pritje të rezultateve të ekzaminimeve të mbetura mjeko-ligjore, ajo kishte mbajtur parasysh nevojën për paraburgim si bazë për dhënien e vendimit. Për më tepër, duke qenë se gjyqtarja kishte paraqitur shkurtimisht argumentat e saj, ato ishin të mjaftueshme për t’i bërë të njohur kërkuesve bazën ku mbështetej vendimi i saj.
21. Shqyrtimi i parashtrimeve të kërkuesve, përkatësisht pajtueshmëria e Shtojcës 8 të Aktit të vitit 2000 me Nenin 5 të Konventës, u shty. Në vendimin e dhënë më 24 Shkurt 2011, Gjykata e Lartë e Irlandës së Veriut nuk gjeti bazë për parashtrimet e kërkuesve, përkatësisht papajtueshmëria e Shtojcës 8 me Nenin 5 të Konventës. Gjykata vendosi se edhe pse nuk kishte asnjë dyshim se "autoriteti kompetent ligjor" përmendur në Nenin 5 § 1 (c) është autoriteti që ka kompetencë për të shqyrtuar një akuzë penale (Magjistrati në Mbretërinë e Bashkuar), në Schiesser k. Zvicrës, 4 Dhjetor 1979, § 29, Seria A nr. 34 dhe McKay k. Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 543/03, KEDNJ 2006- X, Gjykata ka deklaruar qartë se funksioni i "një gjyqtari ose një zyrtari tjetër" për qëllimet e Nenit 5 § 3 të Konventës mund të kryhet nga një zyrtar i parashikuar me ligj për të ushtruar funksione gjyqësore dhe jo domosdoshmërisht duhet të jetë person që ka kompetenca të gjykimi të akuzave eventuale penale. Edhe pse në rastin konkret, gjyqtarja në bazë të Aktit të vitit 2000 nuk kishte në mënyrë të shprehur kompetencë për të urdhëruar lirimin e kërkuesve, një kompetencë e tillë duhet të nënkuptohet, pasi paragrafi 32 i Shtojcës 8 të Aktit të vitit 2000 që parashikon se duhet të ketë baza të arsyeshme për të besuar se paraburgimi i mëtejshëm i një personi është i nevojshëm, prandaj për këtë arsye përmban edhe analizën e proporcionalitetit, por nuk parashikon asnjë dispozitë për lirim me kusht në kuadër të skemës ligjore, çështje e cila nuk u ngrit në rastin në fjalë, por duhet të adresohet për raste të ngjashme në të ardhmen. Edhe pse paragrafi 33(3) i Shtojcës 8 parashikon që autoriteti gjyqësor mund të përjashtojë kërkuesin/përfaqësuesin e tij nga çdo pjesë e seancës dëgjimore dhe në paragrafin 34 parashikonin formacionin që mund të mos lejohet t’i jepet kërkuesit/përfaqësuesit të tij, ka patur një sërë mjetesh në dispozicion të cilat garantonin në një masë të nevojshme kontadiktoritetin dhe barazinë e armëve të palëve. Si përfundim, pretendimet e kërkuesve se sipas Nenit 5 për personin e arrestuar duhet të ngrihen akuzat përpara skadimit të periudhës njëzet e tetë ditore të parashikuar në Aktin e vitit 2000, janë të pabaza.
22. Më 4 Prill 2011, Gjykata e Lartë e Irlandës së Veriut pohoi se, ishte e kënaqur që vendimi i dhënë më 24 Shkurt 2011, përfshinte pikat e mëposhtme të ligjit, të cilat kishin rëndësi të përgjithshme publike:
"(A) Nëse paragrafët 29 (3) dhe 36 (3) (b) të Pjesës III të Shtojcës 8 të Aktit të Terrorizmit 2000 ("Akti") që lejon zgjatjen e paraburgimit për më shumë se katër ditë janë në përputhje me të drejtat e kërkuesit sipas Neni 5 (1) (c), 5 (2) dhe 5 (3) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ("Konventa").
1. Në qoftë se pajtueshmëria me Nenin 5 (3) të Konventës mund të arrihet vetëm duke siguruar paraqitjen e të paraburgosurit para një autoriteti gjyqësor (i) përveç Gjykatës së Magjistraturës (ii) dhe pa ndonjë akuzë të ngritur kundër tij;
2. Nëse Nenet 5 (1) (c) dhe 5 (3) të Konventës janë të nevojshme të interpretohen së bashku, si një dispozitëe vetme dhe të kuptohet se krijojnë një skemë në mënyrë që "gjyqtari ose zyrtari tjetër i autorizuar me ligj të ushtrojnë kompetenca gjyqësore" të parashikuara në nenin 5 (3) dhe "autoriteti kompetent ligjor" i përmendur në nenin 5 (1) (c) të kuptohen se janë e njëjta gjë;
3. Në qoftë se "autoriteti gjyqësor", i parashikuar në Shtojcën 8 të Aktit është "gjykatësi ose zyrtari tjetër i autorizuar me ligj për të ushtruar kompetenca gjyqësore" brenda kuptimit të Nenit 5 (3) të Konventës;
4. Nenet 5 (1) (c) dhe 5 (3) të Konventës nuk mund të interpretohen në mënyrë të tillë që të lejojnë ndalimin e një të dyshuari pa patur akuza për të, për një periudhë të caktuar nga Parlamenti, subjekt vetëm i kërkesave të miratimit periodik gjyqësor të përcaktuara në Nenin 8 të Aktit.
(B) Nëse mungesa e fuqisë për të lejuar lirimin me kusht çon drejt skemës së zgjatjes së afateve të paraburgimit të përcaktuara në Pjesën III të Shtojcës 8 është e papajtueshme me nenin 5 KEDNJ-së; dhe
(C) Nëse procedura për zgjatjen afateve të paraburgimit, në rastet kur i dyshuari dhe përfaqësuesi ligjor kanë qenë të përjashtuar nga gjyqtari gjatë seancës (sipas Shtojcës 8, paragrafi 33 (3)) dhe për të njëjtin shkak informacioni i vënë në dispozicion të gjyqtarit, nuk i është vënë në dispozicion të dyshuarit dhe përfaqësuesit të tij ligjor, (Shtojca 8, paragrafi 34 (1) dhe (2) (f)) është i papajtueshëm me kërkesën e Nenit 5 për zhvillimin e një seance kontadiktore, sipas interpretimit të dhënë në çështjen “Sekretari i Shtetit për Ministrinë e Brendshme k. AF (FC) & Anor [2010] 2 AC 269."
23. Megjithatë, Gjykata e Lartë refuzoi t’i jepte leje kërkuesit të apelonte vendimin në Gjykatën Supreme.
24. Leja për apel u refuzua më 14 Nëntor 2011, me argumentin se kërkesat nuk kanë kundërshti me pikat kryesore të ligjit të mësipërm.
D. Lirimi i kërkuesve nga paraburgimi
25. Kërkuesit u liruan nga akuzat më 25 Mars 2009. Kërkuesit e parë dhe të tretë nuk u akuzuan më pas për ndonjë shkelje që lidhej me vrasjen e policit.
26. Kërkuesi i dytë ishte ri-arrestuar menjëherë dhe ishte intervistuar gjatë dy ditëve në vijim. Më 27 Mars 2009 ai ishte akuzuar për vrasjen e dy ushtarëve, pesë vrasje të mbetura në tentativë dhe posedim të armëve të zjarrit dhe municionit. Ai u paraqit më 27 Mars 2009 para Gjyqtarit të Distriktit në Gjykatën e Lartë të Magjistraturës. Kërkesa e tij për lirim me kusht u refuzua. Pas një seance që u mbajt më 6 dhe 23 Nëntor të vitit 2009, lirimi me kusht u refuzua nga Gjykata e Lartë me arsyetimin se kishte rrezik real të kryerjes së veprave penale për shkak se dyshohej përfshirja e tij në një organizatë disidente republikane. Gjykata e Lartë, më 8 tetor 2010, përsëri nuk pranoi të japë lirimin me kusht.
27. Më 7 Nëntor 2011 kërkuesi i dytë u paraqit në gjyq, trupa përbëhej nga një gjyqtar. Më 20 Janar 2012 ai u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij.
II. LIGJI DHE PRAKTIKA E BRENDSHME PËRKATËSE
A. Kompetencat e arrestimit dhe ndalimit të të dyshuarve për terrorizëm në bazë të Aktit të Terrorizmit 2000
28. Neni 40 i Aktit të vitit 2000 parshikon se terrorist është një person që ka kryer një vepër penale të parashikuar në nenet e Aktit, apo që është ose ka qenë i interesuar në kryerjen, përgatitjen apo nxitjen e akteve të terrorizmit.
29. Neni 41 (1) i Aktit parashikon që një polic mund të arrestojë pa urdhër-arresti çdo person për cilin ai me të drejtë dyshon se është terrorist.
30. Pjesa II e Shtojcës 8 së Aktit 2000 ka të bëjë me ndalimin e një personi të tillë nga ana e policisë gjatë dyzet e tetë orëve të para.
31. Neni 41 (3) i Aktit parashikon që një person i arrestuar duhet të lirohet jo më vonë se në fund të periudhës së dyzet e tetë orëve, afat i cili llogaritet nga koha e arrestimit të subjektit të përcaktuar në paragrafët (4) deri (7), si më poshtë:
"(4) Nëse gjatë vleftësimit të masës së arrestit, sipas Pjesës II të Shtojcës 8, oficeri nuk autorizon zgjatje të afatit të paraburgimit, personi (përveç rastit kur është ndaluar në përputhje me paragrafin (5) ose (6) ose me ndonjë tjetër dispozitë në fuqi) duhet të lirohet.
(5) Nëse një oficer policie vlerëson se duhet të bëjë kërkesë për zgjatje të periudhës së arrestit sipas paragrafit 29 të Shtojcës 8, personi i dyshuar mund të vazhdojë të mbahet i arrestuar ndërkohë që është në pritje të paraqitjes së kërkesës.
(6) Kur kërkesa në lidhje me paraburgimin e një personi është bërë në bazë të paragrafit 29 ose 36 të Kapitullit 8, ai mund të mbahet në paraburgim në pritje të përfundimit të procedurave të filluara.
(7) Kur kërkesa në lidhje me paraburgimin e një personi e bërë në bazë të paragrafit 29 ose 36 të Kapitullit 8, është aprovuar, ai mund të mbahet në paraburgim aq sa është periudha e parashikuar në urdhër-arrest, në përputhje me paragrafin 37 të kësaj Shtojce."
32. Paragrafi 29 i Shtojcës 8 të Aktit parashikon se Prokurori i Përgjithshëm për Irlandën e Veriut ("DPP") ka të drejtë të aplikojë përpara një autoriteti gjyqësor për lëshimin e urdhërit për zgjatjen e afateve të paraburgimit. Në përputhje me paragrafin 29 (3), periudha e paraburgimit të mëtejshëm mund të jetë shtatë ditë nga momenti i arrestimit, sipas Nenit 41 të Aktit 2000, përveç rastit kur kërkesa është bërë për një periudhë më të shkurtër ose autoriteti gjyqësor konstaton se ka rrethana që do ta bënin të papërshtatshme aplikimin e periudhës prej shtatë ditësh.
33. Në Irlandën e Veriut autoriteti gjyqësor në bazë të Aktit të vitit 2000 është Gjykata e Qarkut ose ajo e Distriktit (Gjykata e Magjistraturës), të cilat janë caktuar për qëllime të Aktit.
34. Paragrafi 30 i Shtojcës 8 parashikon se kërkesa për lëshimin e urdhërit të arrestit, duhet të bëhet gjatë periudhës së ndalimit fillestar, apo brenda gjashtë orëve pas përfundimit të kësaj periudhe.
35. Paragrafi 31 parashikon se kërkesa për lëshimin e urdhërit të arrestit nuk mund të shqyrtohet deri sa personi për të cilin kërkohet të jetë njoftuar për kërkesën, kohën në të cilën ajo është bërë, kohën në të cilën ajo do të shqyrtohet dhe shkaqet për të cilat është kërkuar zgjatja e afateve të paraburgimit.
36. Paragrafi 32 (1) parashikon se një autoritet gjyqësor mund të lëshojë urdhër të zgjatjes së afatit të paraburgimit nëse bindet se ka baza të arsyeshme për të besuar se paraburgimi i mëtejshëm i personit është i nevojshëm, dhe se hetimi për personin është duke u kryer me kujdesin dhe shpejtësinë e duhur.
37. Paragrafi 32 (1A) parashikon që zgjatja e afateve të paraburgimit bëhet nëse është e nevojshme:
"(A) për të marrë prova të përshtatshme, qoftë për të marrë në pyetje të dyshuarin, ose;
(B)për të siguruar dëshmitë përkatëse; ose
(C)të pritet rezultati i shqyrtimit apo analizës së ndonjë dëshmie, apo analizave dhe ekzaminimeve të cilat mund të jenë ose janë duke u kryer, me qëllim të marrjes së provave të nevojshme. "
38. Prova e përshtatshme është ajo provë e cila ka të bëjë me kryerjen e një vepre penale në kuptim të Nenit 40 ose tregues se personi i ndaluar bie nën aplikimin e nenit.
39. Paragrafi 33 parashikon të drejtën e personit ndaj të cilit po zhvillohet procedimi të paraqesë parashtrimet e tij me gojë ose me shkrim para autoritetit gjyqësor dhe të përfaqësohet në mënyrë të ligjshme në seancë. Paragrafi 33 (3) parashikon që autoriteti gjyqësor mund të përjashtojë nga seanca personin e ndaluar apo përfaqësuesin e tij.
40. Po kështu, paragrafi 34 i jep DPP të drejtën të kërkojë nga autoriteti gjyqësor lëshimin e një urdhëri që parashikon të mos i bëhet i ditur personit të ndaluar/përfaqësuesit të tij informacioni në të cilin Prokurori do të mbështesë akuzat e tij. Autoriteti gjyqësor mund të lëshojë një urdhër të tillë vetëm nëse bindet se ka baza të arsyeshme për të besuar se në qoftë se informacioni do të zbulohej:
"(A) do të ketë ndërhyrje apo dëmtime të provave, të administruara për kryerjen e veprave penale të parashikuara në dispozitat e përmendura në Neni 40 (1) (a),
(B) rikuperimi i pronës së përvetësuar si rezultat i një vepre penale të parashikuara në këto dispozita do të pengohet,
(C) kthimi i pasurive për të cilat mund të nxirret urdhër konfiskimi në bazë tëNenit 23 ose 23A do të pengohet,
(D) kapja, ndjekja penale apo dënimi i një personi i cili është i dyshuar sipas Nenit 40 (1) (a) ose (b) do të bëhet më i vështirë si rezultat i marrjes dijeni për kushtet në të cilat ndodhet,
(E) parandalimi i një akti terrorist do të bëhet më i vështirë si rezultat i marrjes dijeni së vetë personit të dyshuar,
(F) do të ketë ndërhyrje në mbledhjen e informacionit në lidhje me kryerjen, përgatitjen apo nxitjen e një akti terrorist, ose
(G) një person do të bëhet objekt i sulmeve fizike."
41. Paragrafi 36 parashikon zgjatjen e afatit të paraburgimit deri në një maksimum prej njëzet e tetë ditësh. Çdo kërkesë mund të zgjasë periudhën e paraburgimit deri në shtatë ditë. Çdo kërkesë e cila do të zgjasë periudhën e paraburgimit përtej katërmbëdhjetë ditësh duhet të bëhet para një gjyqtari të Gjykatës së Lartë, ose të Gjykatës së Qarkut të caktuar posaçërisht ose, të Gjykatës së Distriktit (Gjykata e Magjistraturës).
B. Ward k. Shërbimit Policor të Irlandës Veriore [2007] 1 WLR 3013. [2007] UKHL 50
42. Në Ward k. Shërbimit Policor të Irlandës Veriore, Dhoma e Lordëve vendosi se procedura e parashikuar në paragrafin 33 të Shtojcës 8 duhej të aplikohej në interesin më të mirë të personit të ndaluar dhe jo të policisë. Ajo parashikon:
"27. Përgjigja për këtë pyetje është se procedura para autoritetit gjyqësor duhet aplikuar në interes të personit të ndaluar dhe jo të policisë. Ajo i jep personit të dyshuar të drejtën të bëjë parashtrimet e tij dhe të përfaqësohet në seancë. Por, ajo njeh edhe natyrën e ndjeshme të hetimeve dhe për rrjedhojë nëse ka baza të arsyeshme për të besuar, autoriteti gjyqësor mund të kërkojë, në interesin më të mirë të atij personi, zgjatjen e afateve të paraburgimit. Sa më në detaje të shqyrtohet çështja, aq më e ndjeshme ka të ngjarë të jetë. Sa më e gjatë të jetë periudha për të cilën kërkohet zgjatja e paraburgimit, aq më të rëndësishme duhet të jenë arsyet që e mbështesin dhe duhen shqyrtuar me më shumë kujdes.
28. Ashtu si në këtë rast, nevoja e autoritetit gjyqësor për të shqyrtuar me kujdes mund të prevalojë mbi të drejtën e policisë për të mos i paraqitur një të dyshuari linjën në të cilën do të marret në pyetje, përsa kohë ende nuk ka filluar marrja në pyetje. Nëse e bën këtë, autoriteti gjyqësor nuk do të veprojë në dëm të personit të arrestuar, pasi mund të shqyrtojë këtë çështje më nga afër. Pushteti, në këtë rast, nuk do të të jetë duke u përdorur kundër personit të arrestuar, por për të mirën e tij. Siç tha Hart J në gjykimin e tij ex tempore, mbrojtësi i këtij personi është gjykatësi, funksioni i të cilit është të shqyrtojë, në mënyrë rigoroze, bazën mbi të cilën është bërë kërkesa.
29. Mund të ketë raste kur ekziston rreziku se fuqia e dhënë autoritetit gjyqësor nga paragrafi 33 (3) do të veprojë në dëm të personit të arrestuar. Këto raste kanë të ngjarë të jenë të rralla, por autoriteti gjyqësor duhet të jetë gjithmonë i kujdesshëm për të mos e ushtruar pushtetin në këtë mënyrë. "
LIGJI
I. BASHKIMI I KËRKIMEVE
43. Tre kërkesat e mësipërme (nr. 26289/12, 29062/12 dhe 29891/12) ngrenë të njëjtat çështje. Për arsyet e parashtruara në paragrafët 47-59 si më poshtë, Gjykata konstaton se pretendimet e kërkuesit të dytë janë të papranueshme. Ajo mendon, gjithsesi, se kërkesat e mbetura (nr. 26289/12 dhe 29891/12) duhet të bashkohen sipas nenit 42 § 1 të Rregullores së Gjykatës.
II. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 5 § 1 (c), 5 § 2 dhe 5 § 3 TË KONVENTËS
44. Kërkuesit u ankuan se paraburgimi i tyre ishte në shkelje të nenit 5 § 1 (c), 5 § 2 dhe 5 § 3 të Konventës, i cili parashikon si më poshtë:
"1. Çdokush ka të drejtën e lirisë dhe të sigurisë personale. Askush nuk mund të privohet nga liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj:
... ... ...
(C) kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht për t’u çuar përpara autoritetit gjyqësor kompetent pas dyshimit të arsyeshëm se ka kryer një vepër penale ose kur çmohet në mënyrë të arsyeshme e nevojshme për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj;
... ... ...
2. Çdo person i arrestuar duhet të informohet menjëherë, në një gjuhë që ai e kupton, për arsyet e arrestimit të tij dhe për çdo akuzë kundër tij.
3. Çdo person i arrestuar ose i paraburgosur në rrethanat e parashikuara në paragrafin 1/c të këtij neni duhet të çohet menjëherë përpara një gjyqtari ose një zyrtari tjetër të autorizuar me ligj për të ushtruar funksione gjyqësore dhe ka të drejtë të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm ose të lirohet në gjykim e sipër. Lirimi mund të kushtëzohet me dhënien e garancive për t’u paraqitur në procesin gjyqësor."
45. Gjykata nuk është e lidhur me përshkrimin ligjor të fakteve të dhëna nga kërkuesi për çështjen (shih, për shembull, Margaretić k. Kroacisë, nr. 16115/13, § 75, 5 Qershor 2014). Prandaj, në thelbin e kërkesës në bazë tëNenit 5 § 1 (c) është mosdërgimi i menjëhershëm përpara një "gjykatësi ose një zyrtari tjetër", dhe për këtë arsye do të ishte më e përshtatshme që kërkesa të shqyrtohej në bazë të Nenit 5 § 3.
46. Qeveria kundërshtoi argumentet e kërkuesve.
A. Pranueshmëria
1. Gjashtë muaj (kërkuesi i dytë)
47. Qeveria argumentoi se kërkuesi i dytë ka dështuar për të paraqitur kërkesën e tij brenda gjashtë muajsh, i cili është afati kohor i parashikuar në Nenin 35 § 1 të Konventës. Në rastin konkret, duhet patur parasysh se, vendimi përfundimtar i brendshëm ishte refuzimi i dhënies së lejes për të apeluar, dhënë nga Gjykata Supreme më 14 Nëntor 2011, (shih paragrafin 24 më lart), afat që skadoi në mesnatë më 14 Maj 2012.
48. Qeveria parashtroi se, letra e parë e kërkuesit të dytë ndaj Gjykatës, e datës 14 Maj 2012, nuk mund t’i jetë dërguar Gjykatës po në atë datë, pasi vula e Gjykatës tregon se ajo u pranua më 21 Maj 2012, datë jashtë afatit gjashtë mujor. Për më tepër, kjo letër nuk ka përcaktuar përmbledhjen e kërkimit, sikurse kërkohet nga Neni 47 § 5 i Rregullores së Gjykatës, pra nuk mund të përbëjë një "letër prezantuese" të kërkesës. Në fakt, Qeveria nuk ishte në dijeni të ndonjë aplikimi nga kërkuesi i dytë brenda afatit gjashtë mujor.
49. Kërkuesi i dytë pohoi se letra e 14 majit 2012 ishte dërguar në Gjykatën në 12.09 p.m, po në në atë ditë. Ai pretendoi kryerjen e një gabimi në konfirmim, dhe paraqiti në mënyrë të qartë regjistrimin e datës, kohës dhe dërgimin e suksesshëm të letrës.
50. Edhe pse kërkuesi i dytë pranoi se kjo letër nuk e ka përcaktuar objektin e kërkimit, ai argumentoi se, në bazë të Rregullit 47, ai kishte marrë një letër nga Zyra e Regjistrimit e cila i kërkonte të dorëzonte një formular për të plotësuar aplikimin brenda tetë javëve nga data e letrës. Kjo kërkesë është në përputhje me afatin e duhur kohor, pasi kërkesa e përfunduar u dërgua në Gjykatë më 6 Korrik 2012.
51. Është e qartë nga dokumentet e paraqitura nga kërkuesi i dytë dhe nga të dhënat e vetë Gjykatës se, letra e datës 14 Maj 2012 është dërguar me faks në Zyrën e Regjistrimit në 12.09 p.m atë ditë dhe u mor po atë ditë. Një kopje e printuar, e nisur me anë të postës, është pranuar nga Zyra e Regjistrimit më 21 maj 2012. Për pasojë, nuk ka dyshim se kjo letër është pranuar nga Gjykata brenda afatit prej gjashtë muajsh. Megjithatë, mbetet në çmimin e Gjykatës të vendosë nëse kjo letër përbën apo jo një "letër prezantuese" për qëllime të Rregullit 47 § 5 të Rregullores së Gjykatës.
52.Rregulli 47 § 5 i Rregullores së Gjykatës, në version në të cilin ishte në fuqi, parashikonte si më poshtë:
"Data e paraqitjes së kërkesës për qëllimet e Nenit 35 § 1 të Konventës, si rregull i përgjithshëm konsiderohet të jetë data e komunikimit të parë nga kërkuesi, me kusht që një formular i plotësuar, së bashku me lëndën e aplikimit të dorëzohet brenda afateve kohore të përcaktuara nga Gjykata. Megjithatë, Gjykata për arsye të ndryshme mund të vendosë një datë tjetër si datën e hyrjes."
53. Udhëzimet shoqëruese të praktikës së procedues në institucion parashikonin se:
"Kërkesa, normalisht duhet të bëhet në formën e përmendur në Rregullin 47 § 1 të Rregullores së Gjykatës dhe duhet të jetë e shoqëruar me dokumentet dhe vendimet e përmendura në Rregullin 47 § 1 (h).
Kur një kërkues paraqet kërkesën e tij ose të saj në një letër, duhet të përcaktohen, të paktën në mënyrë të përmbledhur, lënda e aplikimit në mënyrë që të ndërpresë afatin gjashtë mujor të shqyrtimit, i parashikuar në Nenin 35 § 1 të Konventës.
Nëse kërkesa nuk është paraqitur në formë zyrtare ose një letër prezantuese nuk përmban gjithë informacionin e përmendur në Rregullin 47, kërkuesi duhet të paraqesë formularin e plotësuar në mënyrë të rregullt. Ajo duhet të dërgohet brenda tetë javësh nga data e letrës së Zyrës së Regjistrimit, duke i kërkuar kërkuesit ta përfundojë dhe ta kthejë përsëri.
Mosrespektimi i këtij afati sjell vështirësi për evidentimin e datës së paraqitjes së kërkesës dhe mund të ndikojnë në mospranimin e saj."
54. Së fundi, udhëzimet për plotësimin e formularëve të aplikimit për periudhën Maj 2012 parashikojnë:
"Periudha gjashtëmujore ndërpritet kur dërgohet në Gjykatë letra e parë, e cila përcakton qartë qoftë edhe përmbledhje të objektit të kërkesës, që duhet të depozitohet bashkë me formularin e aplikimit. Një kërkesë e thjeshtë për informacion nuk është e mjaftueshme për të kapur afatin gjashtëmujor "
55. Është e qartë se Neni 47 § 5, duhet të interpretohet së bashku me Udhëzimet që shoqërojnë formularin e aplikimit dhe letra e prezantimit duhet të përcaktojë objektin e kërkesës për të kapur afatin gjashtëmujor. Kjo praktikë është konfirmuar së fundmi nga Gjykata, e cila u shpreh se, në përputhje me praktikën e ndjekur nga organe të Konventës dhe Nenit 47 § 5 të Rregullores së Gjykatës, data e paraqitjes së kërkesës do të jetë data e komunikimit të parë, me kusht që kërkesa të ketë qëllim të depozitohet më vonë dhe duhet të tregojë dhe natyrën e aplikimit. Ky komunikim i parë, i cili mund të ketë formën e një letre dërguar me faks, në parim ndërpret ecjen e afatit gjashtëmujor (shih Abdulrahmen k. Holandës (dhjetor), nr. 66994/12 më 5 Shkurt 2013).
56. Letra e dërguar nga kërkuesi më 14 Maj 2012 parashikon si më poshtë:
"Ne i referohemi kërkesës së sipërmendur për rishikim gjyqësor,e cila është refuzuar nga Gjykata në Irlandën e Veriut më 24 Shkurt 2011. Nuk kemi qenë më parë avokatët e çështjes, por jemi caktuar tani nga Z.Duffy, për këtë arsye nuk kemi dokumentat e administruara nga avokati i mëparshëm.
Pasi na caktoi klienti ynë është bërë një kërkese për leje për të apeluar në Gjykatën Supreme të Britanisë së Madhe, si kërkim shtesë në çështjen e vlerësimit të ligjshmërisëtë Ligjit me Rëndësi të Përgjithshme Publike. Kjo kërkesë është depozituar në Gjykatë në Mars të vitit 2011. Në Prill 2011, Gjykata e Divizionit mori parasysh kërkesat e mësipërme dhe u tërhoq për marrjen e vendimit.
Në Prill 2011, Gjykata e Divizionit refuzoi lejen për të apeluar në Gjykatën e Lartë, por shpalli të ligjshëm Ligjin me rëndësi të Përgjithshme Publike.
Kërkesa për leje për të apeluar në Gjykatën e Lartë u paraqit në Korrik të vitit 2011. Paneli i Apelit të Gjykatës Supreme e mori në shqyrtim kërkesën në 15 Nëntor 2011 dhe e refuzoi atë.
Tani jemi në pikën e paraqitjes së kërkesës në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe konstatojmë se ajo duhet të paraqitet brenda 6 muajve nga marrja formë të prerë të vendimit, pasi janë ezauruar të gjitha mjetet e brendshme. Prandaj kërkesa duhet të paraqitet në Gjykatës jo më vonë se data 15 Maj 2012.
Në këto rrethana dhe në funksion të urgjencës së këtij rasti do të ishim mirënjohës nëse mund të konfirmoni nëse Gjykata do të pranojë formularin e aplikimit, i cili është printuar nga faqja e internetit të Gjykatës.
Përveç sa më sipër kërkojmë nga Gjykata të konfirmojë nëse mund të na japë detajet e regjistrimit, në mënyrë që ta përfshijmë në formularin e aplikimit, të cilin shpresojmë ta dorëzojmë brenda ditëve të ardhshme.
Ju falënderojmë për ndihmën dhe presim përgjigjen tuaj.
Do të ishim mirënjohës nëse ju do të konfirmonit qëndrimin tuaj me faks ose e-mail."
57. Letra nuk përmban tregues të natyrës së objektit të ankimit të kërkuesit të dytë. Avokati ka deklaruar se në kohën e shkrimit të saj nuk kishte marrë dokumentacionin nga avokati i mëparshëm i klientit të tij. Megjithatë, vetëm ky fakt nuk shpjegon dështimin për të siguruar një bazë të objektit të ankimit që kërkuesi i dytë synonte të bënte kundër shtetit të tij. Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se letra e 14 Majit 2012 nuk e ka ndërprerë ecjen e afatit gjashtë-mujor; madje nuk patur asnjë komunikim të mëvonshëm me efekt të tillë, i cili të ketë përcaktuar natyrën e kërkimit, qoftë në mënyrë përmbledhëse. Gjykata nuk ka marrë asnjë njoftim tjetër deri në dorëzimin e formularit të aplikimit më 6 Korrik 2012, me të cilën afati gjashtë-mujor kishte skaduar.
58. Edhe pse kërkuesit të dytë iu kërkua më 15 Maj 2012 nga Zyra e Regjistrimit të paraqesë një formular aplikimi të plotësuar brenda tetë javësh, ky fakt nuk konfirmon shprehimisht se, letra e 14 Majit 2012 plotësonte kërkesat e Nenit 47 § 5. Argumenti i dytë i kërkuesit se përgjigjia e Zyrës së Regjistrimit është tregues i pajtueshmërisë me Nenin 47 është i kuptueshëm, por ai është në çdo kohë i hapur ndaj kundërshtimeve të Qeverisë për përmbajtjen e letrës së 14 Majit 2014. Gjykata duke patur parasysh argumentet e palëve në tërësi përkrah kundërshtimet e Qeverisë.
59. Në përputhje me rrethanat e çështjes dhe në bazë të Nenit 35 §§ 1 dhe 4 të Konventës, Gjykata nuk është e autorizuar të marrë në konsideratë kërkesat e ankuesit të dytë duke qenë se janë depozituar jashtë afatit.
2. Haptazi të pabazuara
60. Qeveria parashtroi më tej se,kërkesat e kërkuesit të parë dhe të tretë (më poshtë "Kërkuesit") sipas Nenit 5 janë haptazi të pabazuara. Ndërkaq, kërkuesit janë ankuar sipas Nenit 5 § 2 të Konventës, Gjykata pranon se kërkesat e tyre janë haptazi të pabazuara, pasi nuk ka asnjë provë se ata nuk janë informuar menjëherë për arsyet e arrestimit të tyre. Prandaj e deklaron këtë kërkesë të papranueshme sipas Nenit 35 § 3 (a).
61. Megjithatë, Gjykata vlerëson se kërkesat sipas Nenit 5 § 3 ngrenë çështje komplekse të faktit dhe të shqyrtimit në themel të Neneve të Konventës. Si të tilla, ato nuk mund të refuzohen si të pabazuara. Meqë kjo pjesë e aplikimit nuk është e papranueshme, ai duhet të shpallet i pranueshëm.
B. Themeli
1. Parashtrimet e palëve
(A) Kërkuesit
62. Kërkuesit mbështetur në Schiesser k. Zvicrës, datë 4 Dhjetor 1979, Seria A nr. 34, pretendojnë se "autoriteti ligjor kompetent" (në paragrafin 1 (c) të Nenit 5) është sinonim ose shkurtim për "gjyqtarin ose një zyrtar tjetër i autorizuar me ligj për të ushtruar kompetenca gjyqësore" (në paragrafin 3 të Nenit 5). Në bazë të kushteve për fillimin e procedimit penal në Irlandën e Veriut, Gjykata e Magjistraturës ishte institucioni ku një të pandehuri i paraqiteshin akuzat e para. Kërkuesit parashtruan se në Irlandën e Veriut, Gjykata e Magjistraturës ishte njëkohësisht "autoriteti kompetent ligjor" sipas Nenit 5 § 1 (c) dhe "gjyqtari ose zyrtari tjetër", sipas Nenit 5 § 3 të Konventës dhe, për arsye se ata nuk u sollën para Gjykatëssë Magjistraturës, paraburgimi i tyre përbënte shkelje të Nenit 5 § 3.
63. Kërkuesit parashtruan se paraqitja e tyre pasi ishin ngritur akuzat në Gjykatën e Magjistraturës, si një instancë para "gjykatësit ose një zyrtari tjetër", siguruan mbrojtje të mëtejshme kundër ndalimit arbitrar. Në mënyrë të veçantë, paraqitja siguroi njoftim të shpejtë dhe publik të akuzës për të paraburgosurit; vleftësimin e paraburgimit të mëtejshëm dhe më e rëndësishmja, mundësinë e lirimit me kusht; edhe në qoftë se autorizohet paraburgimi i mëtejshëm duhet të bëhet në burg e jo në një stacion policie, pasi nuk është i përshtatshëm për periudha të zgjatura të paraburgimi.
64. Edhe nëse Gjykata do të pranojë se kontrolli gjyqësor i ndalimit i parashikuar nga Neni 5 § 3 i Konventës nuk duhet të kryhej nga Gjykata e Magjistraturës, kërkuesi parashtroi se "autoriteti gjyqësor", siç parashikon Akti i vitit 2000 nuk i ka kompetencat dhe natyrën për të përmbushur kërkesat e këtij Neni.
65. Së pari, ata argumentuan se vleftësimi i kryer nga autoriteti gjyqësor në lidhje me paraburgimin nuk ishte në përputhje me Nenin 5 § 3 të Konventës. Në rastin konkret Gjykata e Lartë konstatoi se, vleftësimi i ligjshmërisë së arrestimit nuk duhet të përfshijë një analizë të detajuar të themelit dhe duhet të pasqyrojë kufizimet e nevojshme që aplikohen në shumë arrestime për vepra terroriste, ku për arsye të sigurisë publike pengohej dhënia e informacionit të plotë mbi të cilin është marrë vendimi për të arrestuar. Kërkuesit parashtruan se kjo nuk ishte në përputhje me Nenin 5 § 3 dhe pengonte vleftësimin efektiv të arrestimit dhe paraburgimit. Prandaj, edhe nëse Gjyqtari i Gjykatës së Shtetit ka proceduar sipas instruksioneve të dhëna nga Gjykata e Lartë, nuk është e mjaftueshme për të përmbushur kërkesat e Nenit 5 § 3.
66. Së dyti, pasojë logjike e krijimit të një mekanizmi të veçantë dhe të ndarë nga proceset normale ligjore është se "autoriteti gjyqësor" duhet të përmbushë dy role të pavarura juridiko-kontrolluese të përcaktuara në Nenin 5 § 3 të Konventës; vleftësimi i menjëhershëm i arrestimit dhe shqyrtimi nëse të arrestuarit duhet të lirohen në pritje të gjyqit. Praktika e GjEDNj shprehet se kontrolli i arrestimit kryhet më vonë nga autoritetet e duhura (McKay k. Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 543/03, KEDNJ 2006- X). Nuk kishte mosmarrëveshje mes palëve për faktin se "autoriteti gjyqësor" i krijuar sipas Aktit të vitit 2000 nuk kishte kompetencë për të urdhëruar lirimin me kusht. Kështu, pa patur mundësi të përcaktojë kushte për lirimin, autoriteti gjyqësor mund të urdhërojë vetëm lirim të pakushtëzuar ose burgim të mëtejshëm. Kështu, pozita e kërkuesve paraqitet e rënduar, pasi minimalisht duhet të liroheshin me kusht. Në këtë drejtim, kërkuesit parashtruan se policia kishte kërkuar të zgjasë afatin e paraburgimit të tyre, kur ata kishin shtatë ditë të arrestuar; intervistat e policisë kishin përfunduar dhe priteshin rezultatet e testeve mjeko-ligjore; hetimet nuk kishin sjellë prova të mjaftueshme për të ngarkuar me përgjegjësi penale kërkuesit; ata kishin sjellje të mirë dhe nuk paraqisnin rrezikshmëri; si dhe prezumoheshin të pafajshëm.
(B) Qeveria
67. Qeveria parashtroi se, kërkesa thelbësore në Nenin 5 § 3 të Konventës për personin e arrestuar është që të çohet menjëherë përpara "gjyqtarit ose zyrtarit tjetër të autorizuar me ligj për të ushtruar kompetenca gjyqësore". Organet gjyqësore të parashikuara nga Neni 5 § 1 (c) dhe 5 § 3 nuk duhet të jenë të njëjta; ashtu siç kërkon Shtojca 8 që personi i arrestuar të sillet para një gjyqtari, duke konfirmuar kështu kërkesat thelbësore të Nenit 5 § 3. Në mbështetje të argumentave të saj, Qeveria u mbështet në formulimin e Nenit 5; qëllimin themelor të Nenit 5; dhe vendimin e Gjykatës në Aquilina k. Maltës [GC], nr. 25642/94, GJEDNJ 1999 III dhe Schiesser k. Zvicrës, cituar më lart.
68. Së pari, fakti që janë përdorur gjuhë të ndryshme në Nenin 5 § 1 (c) dhe në Nenin 5 § 3 nënkupton se organet gjyqësore të përmendura në këto dispozita jo domosdoshmërisht duhet të jenë të njëjta.
69. Së dyti, në Medvedyev dhe të tjerët k. Francës [GC], nr. 3394/03, GJEDNJ 2010, Gjykata u shpreh se qëllimi i Nenit 5 § 3 ishte të siguronte që personat e arrestuar të silleshin fizikisht para oficerit gjyqësor, dhe dispozitat e Shtojcës 8 i shërbyen këtij qëllimi. Në veçanti, dhanë garanci ndaj arrestimit arbitrar, pasi u vlerësuan në mënyrë të pavarur arsyet e ndalimit dhe u urdhërua lirimi i të dyshuarit, pasi zgjatja e paraburgimit nuk ishte e justifikuar. Nëse do të pranonim se, "gjyqtari ose zyrtari tjetër" i parashikuar në Nenin 5 § 3 duhet të jetë i njëjtë me "autoritetin kompetent ligjor" i parashikuar në Nenin 5 § 1 (c), nuk do t’i kishte asnjë ndryshim në lidhje me garancitë e ofruara për të paraburgosurit, por vetëm do t’i jepej përparësi formës ndaj funksionit të organit, dhe do të kufizonte pa arsye menaxhimin e sistemit gjyqësor të shtetit në fjalë.
70. Së treti, edhe në çështjet Schiesser k. Zvicrës dhe Aquilina k. Maltës nuk sugjerohet se trupi gjyqësor sipas Nenit 5 § 3 duhet të jetë i njëjtë me atë të Nenit 5 § 1 (c). Gjykata ka theksuar në këto vendime se me rëndësi është fakti nëse nëpunësi gjyqësor persona të tjerë të autorizuar janë të pavarur nga ekzekutivi dhe palët.
71. Qeveria parashtroi më tej se, kërkuesit kishin keqkuptuar natyrën e paraqitjes së detyrueshme përpara një trupe gjyqësore, sipas Nenit 5 § 3 të Konventës. Së pari, Neni 5 § 1 (c) nuk nënkupton që ndaj një personi të arrestuar duhet të jenë ngritur, apo do të ngrihen më vonë akuza (Brogan dhe të tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar, 29 Nëntor 1988, § 53, seria A nr. 145 B). Prandaj, njoftimi i shpejtë dhe publikimi i akuzave penale nuk është pjesë e shqyrtimit të ligjshmërisë së paraburgimit sipas Nenit 5 § 3.
72. Së dyti, nuk ka asnjë bazë për të arritur në përfundimin se aplikimi i menjëhershëm i Nenit 5 § 3, në mënyrë të detyrueshme të mbulojë lirimin e të paraburgosurve me ose pa kushte, në pritje të gjykimit, këto për arsye që nuk kanë të bëjnë me ligjshmërinë e paraburgimit ose ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm se ai ose ajo ka kryer vepër penale (McKay kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar më lartë, §§ 38 - 39). Kushtet e Nenit 5 § 3 në lidhje me arrestimin sipas Nenit 5 § 1 (c) dhe zgjatjen e paraburgimit (i cili përfshin edhe lirimin me kusht) japin për kërkuesit të drejta qartësisht të ndryshme dhe nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën (Medvedyev dhe të tjerë k. Francës, cituar më sipër, § 119). Në rastin konkret, edhe pse arrestimi i kërkuesve ishte në një fazë të hershme, gjykatësi mund vetëm të lëshojë një urdhër për paraburgim të mëtejshëm nëse krijon bindjen se kërkuesit janë persona që dyshohen se kanë kryer vepra terroriste, ose dyshohet të jenë terroristë; si dhe ka patur baza të arsyeshme për të besuar se arrestimi është i nevojshëm; dhe hetimi po kryhet me kujdesin dhe shpejtësinë e duhur. Në këto rrethana nuk ishte e nevojshme që gjyqtari të kishte kompetencë shtesë për lirimin me kusht të kërkuesit.
2. Vlerësimi i Gjykatës
(A) Parime të përgjithshme
73. Gjykata rithekson se, Neni 5 i Konventës është në radhë të parë të të drejtave themelore që mbrojnë sigurinë fizike të një individi, dhe se në veçanti mund të identifikohen tre parime të jurisprudencës së Gjykatës: natyra shteruese e përjashtimeve, e cila duhet të interpretohet në mënyrë rigoroze dhe nuk lejohet interpretim i zgjeruar në bazë të dispozitave të tjera (Nenet 8 deri 11 të Konventës, në veçanti); theksimi i përsëritur mbi ligjshmërinë e ndalimit, proceduralisht dhe në meritë, që kërkon respektim të sundimit të ligjit; dhe gatishmëria e shpejtësia e kontrolleve gjyqësore të kërkuara sipas Nenit 5 §§ 3 dhe 4 (shih McKay, cituar më lart, § 30).
74. Gjykata vëren rëndësinë e garancive të ofruara nga Neni 5 § 3 për personin e arrestuar. Qëllimi i kësaj dispozite është të sigurojë që personat e arrestuar janë sjellë fizikisht para oficerit gjyqësor. Një shqyrtim i tillë i përshpejtuar gjyqësor ofron një masë të rëndësishme mbrojtje kundër sjelljes arbitrare, izolimit dhe keqtrajtimit gjatë paraburgimit (shih, midis autoriteteve të tjera, Brogan dhe të tjerë, cituar më lartë, § 58;.Brannigan dhe McBridekundër Mbretërisë së Bashkuar, 26 Maj 1993 §§ 62 63, Seria A nr.258-B, Aquilina k. Maltës, cituar më lart, § 49, dhe Dikme kundër Turqisë, nr. 20869/92, § 66, GJEDNJ 2000 VIII)...
75. Neni 5 § 3, si pjesë e këtij kuadri garancish, lidhet strukturalisht me dy çështje të ndara nga njëra-tjetra: faza e parë e një arrestimi, kur një individ është ndaluar nga autoritetet, dhe periudha në pritje të ndonjë gjykimi përpara një gjykate penale, gjatë së cilës individi mund të ndalohet ose të lirohet me ose pa kusht. Këto dy momente garantojnë të drejta qartësisht të pavarura nga njëra-tjetra dhe nuk janë të lidhura përkohësisht ose logjikisht (shih TW k. Maltës [GC], nr. 25644/94, § 49, 29 Prill 1999 McKay, cituar më lartë, § 31 dhe Medvedyev k. Francës, cituar më lart, § 119).
76. Duke marrë në analizë fazën fillestare të arrestimit, jurisprudenca e Gjykatës përcakton se “duhet të garantohet mbrojtje nëpërmjet kontrollit gjyqësor për individët e arrestuar ose të ndaluar për shkak të dyshimit të arsyeshëm se kanë kryer një vepër penale", madje edhe para se të jenë ngritur akuzat penale (shih Brogan dhe të tjerët, cituar më lartë, § 53). Kontrolli shërben për të siguruar mbrojtje efektive kundër rrezikut të keqtrajtimit, i cili është më i madh në fazat fillestare të arrestimit, kundër privimit të vazhdueshëm të lirisë, pasi është ngritur një akuzë penale, si dhe kundër abuzimit me detyrën nga ana e oficerëve apo autoriteteve të tjera ligj zbatuese, të cilët duhet të veprojnë në mënyrë rigoroze e në përputhje me procedurat e përcaktuara. Kontrolli gjyqësor duhet të plotësojnë kushtet e përcaktuara më poshtë (shih McKay, cituar më lart, § 32).
(Α) Menjëhershmëria
77. Kontrolli gjyqësor ndaj arrestimit të individit duhet të jetë i shpejtë, të bëjë të mundur zbulimin e ndonjë keqtrajtimi dhe të mbajë në minimum çdo ndërhyrje të pajustifikuar në lirinë individuale. Edhe pse çdo rast duhet të vlerësohet në përputhje me karakteristikat e tij të veçanta (Belousov k. Ukrainës, nr. 4494/07, § 94, 7 Nëntor 2013), koha relativisht e shkurtër e imponuar nga neni lë pak fleksibilitet për interpretim, ndryshe do të kishte dëmtim të rëndë të garancive proceduriale dhe rrezik për të dëmtuar thelbin e së drejtës që garanton kjo dispozitë (shih Brogan dhe të tjerët, cituar më lartë, § 62, ku periudha katër ditë dhe gjashtë orë në paraburgim, pa paraqitje para gjykatës përbën shkelje të Nenit 5 § 3, madje edhe në kontekstin e veçantë të hetimeve terroriste).
78. Sipas interpretimit në çështjen Brogan (cituar më lart) edhe në kuadër të legjislacionit anti-terrorizëm, ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme ose vështirësi që justifikojnë një periudhë më të gjatë se zakonisht që autoritetet të sjellin personin e arrestuar para një gjykatësi, megjithatë maksimumi i lejuar është katër ditë pas arrestimit. Në çështjen Mac Kay, cituar më lart, Gjykata nuk gjeti shkelje të Nenit 5 § 3 të Konventës, në rrethana kur një i dyshuar jo terrorist ishte sjellë para oficerit të policisë gjyqësore brenda dyzet e tetë orëve nga arrestimi i tij. Po kështu, në Aquilina, cituar më lart, Gjykata pranoi se paraqitja e të arrestuarit para Gjykatës së Magjistraturës brenda dy ditësh pas arrestimit të tij ishte në përputhje me shpejtësisë e kërkuar. Megjithatë, edhe pse periudha prej më shumë se katër ditësh, është prima facie shumë e gjatë, në rrethana të caktuara periudha më të shkurtra mund të jenë në kundërshtim me Nenin (shih Ipek dhe të tjerë k. Turqisë, §§ 36-37, në të cilin një periudhë prej tri ditë e nëntë orë nuk ishte mjaft e shpejtë në lidhje me kërkuesit të cilët ishin të mitur; Kandzhov kundër Bullgarisë, nr. 68294/01, § 66, 6 Nëntor 2008, në të cilën një periudhë tri ditë e njëzet e tre orë nuk ishte mjaftueshëm e shpejtë kur kërkuesi, i cili u arrestua për kundërvajtje jo të dhunshme, kishte kaluar tashmë njëzet e katër orë në paraburgim nga momenti i ndalimit; Hassan dhe të tjerët kundër Francës, nr. 46695/10, § 89, 4 Dhjetor 2014, në të cilën kërkuesit ishin arrestuar për periudha të gjata para se të dërgoheshin në paraburgim).
(Β) Natyra e menjëhershme e shqyrtimit
79. Shqyrtimi duhet të jetë i menjëhershëm dhe nuk varet nga kërkesat e personit të arrestuar; në këtë drejtim duhet të zbatohet Neni 5 § 4, i cili i jep personit të ndaluar të drejtën të lirohet. Natyra e menjëhershme e shqyrtimit është e nevojshme për të përmbushur qëllimin e këtij paragrafi, pasi një person i arrestuar mund të jetë i paaftë për depozitimin e një kërkese për të kërkuar nga një gjyqtar të shqyrtojë paraburgimin e tij; e njëjta procedure vlen edhe për kategoritë e tjera vulnerabël të të arrestuarve, si ata me problem mendore, apo që nuk njohin gjuhën e procesit (shih Aquilina, cituar më lart).
(Γ) Karakteristikat dhe kompetencat e oficerit të policisë gjyqësore
80. Për arsye se, Neni 5 § 1 (c) interpretohet së bashku me Nenin 5 § 3, "Autoriteti kompetent ligjor" i parashikuar në paragrafin 1 (c) është sinonim, për "gjyqtarin ose zyrtarin tjetër të autorizuar me ligj për të ushtruar kompetenca gjyqësore", paragrafi 3 (shih, midis autoriteteve të tjera, Lawless k. Irlandës (nr. 3), 1 Korrik të vitit 1961, Seria A nr. 3, dhe Schiesser, cituar më lart, § 29).
81. Nëpunësi gjyqësor duhet të ofrojë garancitë e nevojshme të pavarësisë nga ekzekutivi dhe palët, gjë që përjashton ndërhyrjen e tij të mëvonshme në procedurat penale në emër të autoritetit të ndjekjes penale, dhe ai ose ajo duhet të ketë kompetencën për të urdhëruar lirimin, pas dëgjimit të të arrestuarve dhe vleftësimit të ligjshmërisë së arrestimit dhe ndalimit (shih, midis shumë autoriteteve të tjera, Assenov dhe të tjerët kundër Bullgarisë, 28 Tetor 1998 §§ 146 dhe 149, Raportet 1998-VIII). Formulimi i këtij vendimi, i cili ka qenë në bazë të praktikës gjyqësore të vendosur nga Gjykata, daton që në çështjen Schiesser (cituar më lartë, § 31):
"Përveç kësaj, në bazë të Nenit 5 § 3, ekziston edhe një kërkesë thelbësore proceduriale. Kërkesa proceduriale e vendos "oficerin" përpara detyrimit për të dëgjuar individin që sillet para tij [...]; kërkesa substanciale vendos detyrimin për të shqyrtuar rrethanat e arrestimit dhe mundësinë e apelimit kundër arrestimit, për të vendosur duke iu referuar kritereve ligjore, nëse ka arsye të justifikuara për ndalimin dhe nëse nuk ka arsye të tilla, të bëhet lirimi [...]. "
82. Me fjalë të tjera, "Neni 5 § 3 kërkon që zyrtari gjyqësor të analizojë arsyet dhe meritat e paraburgimit" (shih T.W. k. Maltës dhe Aquilina, të dy cituar më lart, Neni § 41 dhe § 47, respektivisht).
83. Shqyrtimi fillestar i arrestimit dhe ndalimit, duhet të analizojë çështjen e ligjshmërisë dhe nëse ekziston apo jo dyshimi i arsyeshëm se personi i arrestuar ka kryer një vepër penale; me fjalë të tjera, nëse ndalimi bie brenda përjashtimeve të përcaktuara në Nenin 5 § 1 (c). Kur nuk ka rrethana përjashtuese, ose arrestimi është i paligjshëm, atëherë nëpunësi gjyqësor duhet të ketë pushtetin ta lirojë të arrestuarin (shih McKay, cituar më lartë, § 40).
84. Megjithatë, jurisprudenca e Gjykatës përcakton se në bazë të detyrimit për paraqitje të menjëhershme, nuk përfshihet lirimi me ose pa kushte, përveç arsyes së ligjshmërisë së paraburgimit apo ekzistencës së dyshimit të arsyeshëm se kërkuesi ka kryer vepër penale. Në vendimin Schiesser përsa i përket "rrethanave pro apo kundër ndalimit", Gjykata nuk sugjeron se duhet që gjykatat e brendshme të kalojnë përtej shqyrtimit të ligjshmërisë së arrestimit e paraburgimit sipas ligjit të brendshëm dhe përputhshmërisë së tij me kërkesat e Nenit 5 § 1 (c) (McKay, cituar më lartë, § 36).
85. Gjykata ka theksuar në disa raste se, hetimi i veprave penale terroriste padyshim i paraqet autoriteteve probleme të veçanta (shih Brogan dhe të tjerët, cituar më lart, § 61;. Murray kundër Mbretërisë së Bashkuar, 28 Tetor 1994, § 58, Seria A jo 300-A;..dhe Aksoy kundër Turqisë, 18 Dhjetor 1996 § 78, Raportet 1996-VI). Në Brogan dhe të tjerë (cituar më sipër, § 61) Gjykata në mënyrë specifike pranoi se, "vështirësitë ... e kontrollit gjyqësor mbi vendimet e arrestimit dhe ndalimit të terroristëve të dyshuar mund të ndikojë në mënyrën e zbatimit të Nenit 5 § 3, për shembull, në thirrje për masat e duhura proceduriale në funksion të natyrës së veprave penale. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se organet hetimore kanë në bazë të Nenit 5 "carte blanche" të marrin në pyetje të dyshuarit dhe arrestuarit pa iu nënshtruar kontrollit efektiv nga gjykatat e brendshme, si dhe nga ana e institucioneve mbikëqyrëse të Konventës, kur ata pohojnë se çështja ka të bëjë me terrorizmin (shih Öcalan k. Turqisë [GC], nr. 46221/99, § 104, GJEDNJ 2005 IV).
(Δ) Periudha e hetimit paraprak ose paraburgimit
86. Prezumimi i pafajësisë është në favor të të dyshuarit. Siç përcaktohet në Neumeister k. Austrisë (27 Qershor 1968, f. 37, § 4, Seria A nr. 8), pjesa e dytë e Nenit 5 § 3 nuk i jep autoriteteve gjyqësore të drejtën të përcaktojnë nga sjellja e të akuzuarit nëse do të dërgohet për gjykim brenda një kohe të arsyeshme apo jepet lirim me kusht, në pritje të gjyqit. I arrestuari duhet të konsiderohet i pafajshëm, dhe qëllimi i dispozitës është në thelb të kërkojë lirimin e përkohshëm, kur nuk ka arsye ndalimi/paraburgimi.
87. Mbajtja në paraburgim mund të justifikohet në një rast të caktuar, vetëm nëse ka interes publik dhe pavarësisht prezumimit të pafajësisë, prevalon ndaj lirisë individuale, e parashikuar në nenin 5 të Konventës (shih, midis autoriteteve të tjera, Kudla k. Polonisë [GC], nr. 30210/96, §§ 110 et sek., GJEDNJ 2000 XI).
88. Ekzistenca e dyshimit të arsyeshëm se, personi i arrestuar ka kryer një vepër penale, është një kusht sine qua non për ligjshmërinë e vazhdimit të paraburgimit, por me kalimin e kohës kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për të justifikuar vazhdimin e paraburgimit. Gjykata nuk e ka sjellë konceptin në një numër të caktuar ditësh, javësh, muajsh apo vitesh, por në periudha të ndryshme në varësi të veprës penale (Stogmuller k. Austrisë, nr. 1602/62, § 4, 10 Nëntor 1969). Kur ekzistenca e "dyshimit të arsyeshëm" nuk është më e mjaftueshme, Gjykata duhet të vlerësojë nëse arsyet e tjera të dhëna nga autoritetet gjyqësore justifikojnë heqjen e lirisë. Në veçanti, duhet të përcaktohet nëse janë "të rëndësishme" dhe "të mjaftueshme", dhe nëse autoritetet kombëtare shfaqin "kujdes të veçantë" në kryerjen e procedurave (shih, midis autoriteteve të tjera, Letellier kundër Francës, 26 Qershor 1991 § 35, Seria A nr. 207, dhe Yagci dhe Sargın k. Turqisë, 8 Qershor 1995 § 50, Seria A nr. 319 A).
89. Jurisprudenca e Gjykatës nuk ka praktikë analize për fazën fillestare të paraburgimit, por në këtë kontekst si në pjesën më të madhe të rasteve, ekzistenca e dyshimit ofron një bazë të mjaftueshme për paraburgim dhe prevalon ndaj lirimit me kusht. Nuk vihet në dyshim fakti se, duhet të ekzistojë mundësia për shqyrtim gjyqësor të lirimit në pritje të gjykimit, si edhe në këtë fazë do të ketë raste kur natyra e veprës penale ose rrethanat personale të të dyshuarit janë të tilla që e bëjnë paraburgimin e paarsyeshëm, ose të pambështetur nga ligji. Nuk ka asnjë kërkesë të shprehur të "menjëhershmërisë", si në fjalinë e parë të paragrafit 3 të nenit 5. Megjithatë, konsiderata të tilla, qoftë me kërkesë të kërkuesit ose të gjyqtarit duhet të bëhen në mënyrën e duhur, për të mbajtur në një minimum të pranueshëm çdo privim të pajustifikuar të lirisë (shih McKay, cituar më lartë, § 46).
90. Për të siguruar që e drejta e garantuar të jetë praktike e efektive dhe jo teorike e iluzive, është praktikë e mirë dhe shumë e dëshirueshme minimizimi i vonesës, duke e kryer nëpunësi gjyqësor vleftësimin e ligjshmërisë së arrestit, ekzistencën e kushteve për paraburgim, por edhe shqyrtimin e lirimit me kusht. Megjithatë, kjo nuk është një kërkesë e Konventës dhe nuk ka asnjë arsye pse në parim çështjet nuk mund të trajtohen nga dy oficerët gjyqësorë të ndryshëm, brenda afatit tëcaktuar. Në çdo rast, nuk është e nevojshme që shqyrtimi i lirimit me kusht të bëhet më shpejt seç është e kërkuar në fazën e parë të paraqitjes, të cilën Gjykata e ka vendosur maksimumi katër ditë (shih Brogan dhe Të tjerët, të cituar më lartë).
(B) Zbatimi i parimeve të përgjithshme për çështjen në fjalë
(a) A u sollën kërkuesit menjëherë përpara një gjykatësi ose një zyrtari tjetër gjyqësor sipas kërkesave të Nenit 5 § 3 të Konventës?
91. Edhe pse, siç u përmend më lart(në paragrafin 80), "autoriteti kompetent ligjor" në paragrafin 1 (c) të Nenit 5 § 3 duhet të merret si sinonim i "gjyqtarit ose zyrtarit tjetër të autorizuar me ligj për të ushtruar pushtetin gjyqësor", në paragrafin 3, kjo nuk nënkupton se organet gjyqësore, për të kryer funksionet e ndryshme gjyqësore të parashikuara nga dy dispozitat, duhet domosdoshmërisht të jenë identike. Në të kundërtën, në jurisprudencën e saj, Gjykata ka theksuar në mënyrë të përsëritur se qëllimi i paragrafit të parë të Nenit 5 § 3 është për të siguruar që një person i arrestuar të dërgohet menjëherë përpara një autoriteti gjyqësor me pushtetin për të vlerësuar ligjshmërinë e arrestimit, për të shqyrtuar arsyet e paraburgimit, dhe të urdhërojë lirimin, nëse vazhdimi i paraburgimit do të ishte i paligjshëm. Në rastin në fjalë, gjykata ka vendosur sipas kushteve të përcaktuara nga pjesa e parë e Nenit 5 § 3. Prandaj, çështja që ngrihet për vlerësim nuk është nëse kërkuesit duhet të sillen në Gjykatën e Magjistraturës, autoritetit gjyqësor të Irlandës së Veriut, para së cilës i akuzuari përballet me akuzën penale, por nëse ata ishin dërguar përpara një gjykatësi ose një zyrtari tjetër, duke plotësuar kështu kërkesat e paragrafit të parë të Nenit 5 § 3 të Konventës, në lidhje me arrestimin sipas Nenit 5 § 1 (c).
92. Para se të trajtojë këtë çështje, Gjykata vëren se gjatë arrestimit të tyre, kërkuesit u sollën dy herë para gjykatësit të Gjykatës së Qarkut të caktuar posaçërisht për çështjen, dyzet e tetë orë pas arrestimit të tyre, ndërkohë që DPP kishte bërë kërkesë për zgjatje të paraburgimit, sipas paragrafit 29 të Shtojcës 8, dhe për pesë ditë të tjera, në bazë të paragrafit 36 të Shtojcës 8 për zgjatjen e afateve (shih paragrafët 6-8 dhe 33 më lart). Edhe pse kërkuesit kundërshtuan paragrafin 36, Gjykata e Lartë u shpreh se është paragrafi 32, ai që përcakton bazat për zgjatjen e afatit të paraburgimit, dhe duhej të interpretohej në përputhje me Nenin 5 § 3 të Konventës (shih paragrafët 19 dhe 21 më lartë). Gjykata thekson se nuk ka ndryshim në kompetencat e gjyqtarit në bazë të paragrafit 29 dhe atij 36.
93. Në lidhje me kërkesën e "menjëhershmërisë", Gjykata vëren se në rastin në fjalë kërkuesit janë madhorë, të cilët u paraqitën para gjykatësit brenda dyzet e tetë orëve nga arrestimi i tyre për shkak të dyshimit se kishin kryer një krim të rëndë të lidhur me terrorizmin. Duke patur parasysh parimet e përcaktuara në paragrafët 77 dhe 78, Gjykata vëren se ata u paraqitën "menjëherë" para gjykatësit.
94. Kërkesa e dytë e Nenit 5 § 3 është se paraqitja fillestare e personit të arrestuar para oficerit të policisë gjyqësore duhet të jetë e menjëhershme. Në rastin konkret kërkuesit nuk kanë kundërshtuar sa më lart. Oficerët e policisë gjyqësore kanë kërkuar (paragrafi 29 i Shtojcës 8 të Aktit të vitit 2000) nga gjyqtari i Gjykatës së Qarkut të zgjasë periudhën e paraburgimit përtej dyzet e tetë orëve (shih paragrafin 32 më lart), megjithatë kërkuesit nuk mund të mbahen të arrestuar përtej këtij afati, pa u paraqitur asnjëherë përpara gjykatësit.
95. Së treti, Gjykata është shprehur në mënyrë të përsëritur se zyrtari gjyqësor sipas Nenit 5 § 3 të Konventës duhet të ofrojë garancitë e nevojshme të pavarësisë nga ekzekutivi dhe palët; ai ose ajo duhet të jetë në gjendje për të shqyrtuar ligjshmërinë e arrestimit dhe paraburgimit (për të përfshirë një rishikim të rrethanave ose për të vendosur nëse ka pasur arsye për të justifikuar ndalimin); dhe, në qoftë se ka pasur arsye të mjaftueshme për të justifikuar arrestimin, ai ose ajo duhet të ketë kompetencë për të urdhëruar lirimin.
96. Ky është argumenti i zakonshëm që analizon pavarësinë e gjyqtarit. Prandaj, janë adresuar nga Gjykata dy pyetje kryesore, nëse ajo kishte kompetencë për të shqyrtuar ligjshmërinë e paraburgimit të kërkuesve; dhe së dyti, nëse ajo kishte kompetencën e duhur për të urdhëruar lirimin e tyre.
97. Edhe pse Gjykata e Lartë u shpreh se paragrafi 32 duhet të interpretohet në përputhje me Nenin 5 § 3 (shih paragrafët 19 dhe 21 më lart), kërkuesit sugjerojnë se vleftësimi i ligjshmërisë së arrestimit nuk duhet të përfshijë një analizë të detajuar të shkaqeve të arrestimit dhe duhet të pasqyrojnë kufizimet që domosdoshmërisht zbatohen në shumë arrestime për vepra terroriste
98. Gjykata vëren se, udhëzimi i dhënë nga Gjykata e Lartë është abstrakt dhe, si i tillë, ka interes për të parë se si do të zbatohet nga gjykatat e brendshme në praktikë. Megjithatë, në parim, Gjykata në vendimin e Gjykatës së Lartë nuk gjen kundërshti me jurisprudencën e vetë Gjykatës së Lartë. Në veçanti, ajo vëren se në rastet e mëparshme Gjykata e Lartë ka përcaktuar përmbajtjen e saktë dhe/ose mënyrën e analizimit sipas Nenit 5 § 3; dhe thjesht ka deklaruar se zyrtari gjyqësor duhet të ketë kompetencë të shqyrtuar ligjshmërinë e arrestimit dhe paraburgimit, të shqyrtojë rrethanat pro ose kundër arrestimit, duke përfshirë ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm, dhe të vendosë nëse ka arsye që justifikojnë paraburgimin. Për më tepër, siç u tha më lart (në paragrafin 83), autoritetet nuk kanë "carte blanche" gjatë hetimit të veprave terroriste, megjithatë hetimi i veprave të tilla shpesh sjell problematika të veçanta tek autoritetet. Prandaj, në bazë të provave, Gjykata nuk mund të pajtohet me argumentat e kërkuesit se vlerësimi i ligjshmërisë nga Gjykata e Lartë, bie në kundërshtim me standartin e kërkuar nga Neni 5 § 3 të Konventës.
99. Në rastin konkret, Gjykata e Lartë, prishi vendimin e Gjykatës së Qarkut për zgjatje të afatit të paraburgimit, për shkak të dështimit të saj për të vleftësuar ligjshmërinë e arrestimit, por la në fuqi faktin që Gjyqtari për nxjerrjen e vendimit të arsyetuar në mënyrë të përshtatshme, mori parasysh nevojën për vazhdimin e paraburgimit (shih paragrafët 19 - 20 më lart).
100. Në lidhje me pyetjen nëse Gjyqtari kishte kompetencë për të urdhëruar lirimin në rast të një arrestimi ose ndalimi të paligjshëm, Gjykata thekson se edhe nëse nuk ka kompetencë të tillë në Aktin e vitit 2000, në rastin në fjalë Gjykata e Lartë pranoi se dispozitat e këtij ligji duhej të lexohen në përputhje me kërkesat e Nenit 5 § 3 të Konventës. Kështu, Gjyqtari duhet të ketë kompetencë për të urdhëruar lirimin nëse nuk ka pasur asnjë bazë të ligjshme për arrestimin ose paraburgimin fillestar, apo nëse vazhdon në bazë të një urdhëri (shih paragrafët 19 dhe 21 më lart). Përveç kësaj, ajo vëren se kur një urdhër (ose zgjatje afati të urdhërit) nuk është kërkuar apo dhënë, personi duhet të lirohet pasi nuk ka më asnjë bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit.
101. Kërkuesit sugjerojnë se, Gjyqtari ka gjithashtu kompetencë të urdhërojë lirimin me kusht. Megjithatë, siç u vu në dukje më sipër në paragrafin 84, nuk ka mbështetje në jurisprudencën e Gjykatës se autoriteti gjyqësor që vleftëson masën e arrestit, të urdhërojë edhe lirimin me kusht. Gjykata deklaroi në Mc Kay (cituar më lart, § 47), se do të ishte e përshtatshme që oficeri i policisë gjyqësore që do të kryejë vlerësimin e ligjshmërisë së arrestimit të ketë kompetencë edhe të marrë në shqyrtim lirimin me kusht, si dhe ekzistencën e një dyshimi të arsyeshëm se kërkuesi ka kryer vepër penale, por theksoi se kjo nuk është kërkesë e Konventës dhe në parim nuk kishte asnjë pengesë që çështjet të trajtohen nga dy oficerë të ndryshëm të policë gjyqësore.
(Β) A ekzistonte mundësia e lirimit me kusht gjatë periudhës së paraburgimit të kërkuesve?
102. Pas paraqitjes së tyre të parë para gjyqtarit, kërkuesit qëndruan në paraburgim edhe për dhjetë ditë të tjera. Edhe pse ata u paraqitën për herë të dytë para gjyqtarit të Gjykatës së Qarkut pasi kishin qëndruar në paraburgim edhe për shtatë ditë të tjera, në asnjë moment ata nuk u sollën para gjyqtarit për të urdhëruar lirimin me kusht. Prandaj, kërkuesit pretendojnë se për aq kohë sa sipas Aktit të vitit 2000 lejohej paraburgimi i tyre për një periudhë maksimale prej njëzet e tetë ditë pa ngritur asnjë akuzë, dhe gjatë kësaj kohe nuk u mor në konsideratë dhënia e lirimit me kusht, procedura nuk ishte në përputhje me Nenin 5 § 3 të Konventës.
103. Gjykata nuk mund të analizojë Shtojcën 8 in abstracto; për më tepër, ajo duhet të kufizohet vetëm në analizën e fakteve të rastit të paraqitur. Prandaj, edhe pse kërkuesit, në bazë të nenit mund të ndaloheshin për një periudhë prej njëzet e tetë ditësh, nuk mund të anashkalohet fakti se, në rastin konkret, ata u liruan pas dymbëdhjetë ditësh. Për më tepër, Gjykata nuk merr parasysh mosngritjen e akuzave penale, pasi Neni 5 § 3 nuk sugjeron se të paraburgosurit duhet të akuzohen patjetër për një vepër penale në mënyrë që paraburgimi të jetë në përputhje me dispozitën (Brogan, cituar më lartë, § 53).
104. Siç u theksua më sipër, në paragrafin 75, Neni 5 § 3 lidhet strukturalisht me dy çështje të ndara nga njëra-tjetra: fazat e para të një arrestimi, kur një individ është ndaluar nga autoritetet mbi dyshimin se ka kryer vepër penale, dhe periudha në pritje të ndonjë gjykimi përpara një gjykate penale, gjatë së cilës individi mund të ndalohet ose të lirohet me ose pa kusht (shih TW k. Maltës, cituar më lartë, § 49, McKay, cituar më lartë, § 31 dhe Medvedyev k. Francës cituar më lartë, § 119). Gjatë fazës fillestare sipas paragrafit të parë të Nenit 5 § 3, paraburgimi i të ndaluarit mund të justifikohet nga ekzistenca e "dyshimit të arsyeshëm" se ai kishte kryer një vepër penale. Megjithatë, kjo nuk do të mjaftojë për të justifikuar, pas kalimit të një kohe të caktuar, zgjatjen e paraburgimit, edhe pse Gjykata nuk e ka shprehur këtë koncept në një numër të caktuar ditësh, javësh, muajsh apo vitesh, ose në periudha të ndryshme në varësi të rëndësisë së veprës penale (Stogmuller k. Austrisë, cituar më lart, § 4). Kështu, i takon Gjykatës në fjalë të vendosë nëse arrestimi i kërkuesve sipas paragrafit të parë të Nenit 5 § 3, dhe vazhdimi i arrestimit arsyetohet me ekzistencën e "dyshimit të arsyeshëm".
105. Në rastin konkret kërkuesit u arrestuan për dymbëdhjetë ditë, e cila konsiderohet një periudhë relativisht e shkurtër kohe. Si të tillë, Gjykata vlerëson se ata ndodheshin në "fazat e hershme" të heqjes së lirisë, kur paraburgimi mund të arsyetohet me ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm, prandaj nuk është e nevojshme të vendosë mbi lirimin e tyre me kusht gjatë kësaj periudhe.
106. Në çdo rast, Gjykata vëren se gjatë periudhës së ndalimit të tyre ka pasur një numër të madh masash mbrojtëse kundër paraburgimit arbitrar. Së pari, në bazë të Shtojcës 8, gjyqtari mund të zgjasë periudhën e paraburgimit vetëm për një maksimum prej shtatë ditësh dhe në total nuk mund të tejkalojë njëzet e tetë ditë. Më parë, gjyqtari duhej të analizojë nëse ka baza të arsyeshme për zgjatje të afatit dhe nëse hetimi është duke u zhvilluar me kujdesin dhe shpejtësinë e duhur (shih paragrafin 36 më lartë). Për më tepër, pas vendimit të Gjykatës së Lartë se arrestimi ishte i ligjshëm, gjyqtari duhej të analizonte arsyet e paraburgimit. Edhe pse në raste të caktuara të ndaluarit dhe/ose përfaqësuesit e tyre mund të përjashtohen nga seancat, në rastin konkret kërkuesi i parë dha dëshmi nën betim gjatë paraqitjes së parë në gjykatë, ndërsa gjatë paraqitjes së dytë u dëgjuan dy kërkuesit e tjerë (shih paragrafin 8 më lart). Së fundi, kërkuesit kishin të drejtë të apelonin në rrugë gjyqësore zgjatjen e paraburgimit.
107. Ligji parashikonte masa mbrojtëse të rrepta që do të zgjasnin afatin e paraburgimit përtej katërmbëdhjetë ditëve, megjithatë kjo nuk u analizua, sepse në rastin në fjalë kërkuesit u liruan pas dymbëdhjetë ditësh.
108. Në dritën e argumentave të mësipërme, Gjykata nuk vlerëson se mungesa e mundësisë së lirimit me kusht gjatë periudhës së paraburgimit ngre çështje në bazë të Nenit 5 § 3 të Konventës.
(Γ) Përfundime
109. Vlerësimet e mësipërme janë të mjaftueshme dhe çojnë Gjykatën në përfundimin se, paraburgimi i kërkuesve sipas Shtojcës 8 të Aktit të vitit 2000 nuk përbën shkejle të Nenit 5 § 3 të Konventës.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, NJËZËRI,
1. Bashkon kërkesat nr. 26289/12 dhe 29891/12 të paraqitura përkatësisht nga kërkuesit e parë dhe të tretë;
2. Deklaron kërkesën e kërkuesit të dytë (kërkesa nr. 29062/12.) të papranueshme;
3. Deklaron kërkesat e kërkuesve të parë dhe të tretë në bazë të Nenit 5 § 2 të Konventës të papranueshme dhe haptazi të pabazuara;
4. Deklaron kërkesat e kërkuesve të parë dhe të tretë në bazë tëNenit 5 § 3 të Konventës të pranueshme;
5. Vendos se nuk ka patur shkelje të Nenit 5 § 3 të Konventës.
Hartuar në gjuhën angleze dhe shpallur me shkrim më 12 Maj 2015, sipas Nenit 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Françoise Elens-Passos Päivi Hirvelä
KancelarKryetar
Full & Egal Universal Law Academy