© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document
SEKSIONI I DYTË
ÇËSHTJA MAGYAR KERESZTÉNY MENNONITA EGYHÁZ DHE TË TJERË k. HUNGARISË
(Kërkesat nr. 70945/11, 23611/12, 26998/12, 41150/12, 41155/12, 41463/12, 41553/12, 54977/12 dhe 56581/12)
VENDIM
(Themeli)
[Ekstrakt]
STRASBURG
8 Prill 2014
Ky vendim është bërë përfundimtar, sipas nenit 44 § 2 të Konventës. Ai mund t’i nënshtrohet korrigjimeve.
Në çështjen e Magyar Keresztény Mennonita Egyház dhe të tjerë k. Hungarisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i dytë), me trup gjykues të përbërë prej:
Guido Raimondi, President,
Işıl Karakaş,
András Sajó,
Nebojša Vučinić,
Helen Keller,
Egidijus Kūris,
Robert Spano, gjyqtarë,
dhe Stanley Naismith, Kancelar i Seksionit,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 18 shkurt 2014,
Jep këtë vendim, i cili u mor në datën e lartpërmendur:
PROCEDURA
1. Çështja e ka zanafillën në nëntë kërkesa (nr. 70945/11, 23611/12, 26998/12, 41150/12, 41155/12, 41463/12, 41553/12, 54977/12 dhe 56581/12) kundër Republikës së Hungarisë drejtuar në Gjykatë, sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa") nga komunitete të ndryshme fetare që pretendohet se janë aktive në Hungari, si dhe ministrat e anëtarët e tyre, më 16 nëntor 2011, 3 dhe 24 prill, 25 dhe 28 qershor, 19 dhe 29 gusht 2012, respektivisht.
2. Kërkuesit u përfaqësuan nga Z. D. Karsai (kërkesat nr. 70945/11, 23611/12, 26998/12, 41150/12, 41155/12, 41463/12 dhe 56581/12), Z. L. Baltay (kërkesa nr. 41553/12) dhe Z. Cs. Tordai (kërkesa nr. 54977/12), avokatë që ushtrojnë aktivitetin në Budapest, Gyál dhe Budapest respektivisht.
Qeveria Hungareze (“Qeveria”) u përfaqësua nga agjenti i saj Z. Z. Tallódi, i Ministrisë së Administratës Publike dhe Drejtësisë.
3. Kërkuesit pretenduan sipas nenit 11 i lexuar në lidhje me nenet 9 dhe 14 të Konventës, se çregjistrimi dhe ri-regjistrimi diskrecional i kishave përbënte shkelje të së drejtës së tyre për lirinë e fesë dhe ishte diskriminuese. Sipas neneve 6 dhe 13, ata pohuan se procedura përkatëse ishte e padrejtë dhe nuk ofronte ndonjë mjet ligjor efektiv ankimi. Disa prej kërkuesve pretenduan gjithashtu shkelje të nenit 1 të Protokollit Nr.1 për shkak të humbjes së subvencioneve shtetërore pas humbjes së statusit të kishës.
4. Më 27 shtator 2012 kërkesat e paraqitur iu komunikuan Qeverisë
5. Në lidhje me kërkesën nr. 41463/12, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk e ushtroi të drejtën e saj në bazë të nenit 36 § 1 të Konventës për të parashtruar komente me shkrim për rastin.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
6. Kërkuesit janë komunitete fetare dhe individë. Kërkuesit komunitete, fillimisht kanë ekzistuar dhe operuar ligjërisht në Hungari si kisha të regjistruara nga gjykata kompetente në përputhje me Ligjin nr. IV të vitit 1990 ("Ligji i Kishës i 1990").
...
16. Përveç kishave të njohura të listuara në Shtojcën e Ligjit të Kishës i 2011, të gjitha komunitetet e tjera fetare të regjistruara më parë si kisha e humbën statusin e tyre si të tilla, por mund të vazhdonin aktivitetet e tyre si shoqata. Në qoftë dëshironin të vazhdonin të njiheshin si kisha, ishte e nevojshme që këto bashkësi fetare t’i drejtoheshin Parlamentit që t’i njihte si të tilla.
18. Në vendimin nr. 6/2013 (III. 1), Gjykata Kushtetuese konstatoi se disa dispozita të Ligjit të Kishës së 2011 ishin jo kushtetuese dhe i shfuqizoi ato me efekt prapaveprues.
Ndërkohë, disa kërkuese i paraqitën Ministrit përgjegjës kërkesat për regjistrimin e tyre si kisha, por ato u refuzuan me arsyetimin se pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Ligji i Kishës i 2011 i ndalonte këto regjistrime.
19. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, disa kërkues iu drejtuan Agjencisë Kombëtare të Tatimeve dhe Doganave ("NTCA"), për t’u pajisur përsëri me numrin i cili ishte i nevojshëm në mënyrë që të kishin të drejtën e një për qindëshit të tatimit mbi të ardhurat të cilat tatimpaguesit mund të dhuronin për kishat. NTCA pezulloi procedurën dhe i ftoi kërkuesit që të nisnin procedurën për njohjen para Parlamentit. Kërkuesit, në parashtrimet e tyre e konsideruan këtë përgjigje një mospërfillje të mëtejshme të vendimit të Gjykatës Kushtetuese
20. Disa prej kërkuesve e rifituan statusin e tyre si kisha në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
II. E DREJTA E BRENDSHME PËRKATËSE
A. Pasqyrë e zhvillimeve në legjislacionin përkatës
21. Ndërmjet 12 shkurtit 1990 dhe 31 dhjetorit 2011 aktivitetet fetare ishin rregulluar nga Ligji nr. IV i vitit 1990 ( "Ligji i Kishës i 1990 "), i cili i klasifikonte komunitetet fetare me një anëtarësim mbi njëqind persona si kisha.
22. Që nga 1 janar 2012, Ligji i Kishës i 1990 u zëvendësua nga Ligji nr. CCVI i vitit 2011 ("Ligji i Kishës i 2011"). Sipas ligjit të ri, komunitetet fetare mund të ekzistonin si kishat ose si shoqatat që kryenin veprimtari fetare ("shoqata fetare" sipas terminologjisë së përdorur nga Gjykata Kushtetuese). Të vetmet subjekte të cilat kualifikoheshin si kisha ishin ato të cilat gjendeshin të listuara në Shtojcën Ligjit të Kishës së 2011 dhe ato që klasifikoheshin si kisha nga Parlamenti sipas disa kushteve të caktuara, fillimisht, deri më 29 shkurt 2012. Baza kushtetuese e këtij rregullimi ishte neni 21 (1) i Dispozitave kalimtare të Ligjit Themeltar, i cili i jepte Parlamentit fuqinë për të identifikuar kishat e njohura në ligjin përkatës kardinal dhe për të përcaktuar kriteret për njohjen e kishave të tjera që mund të pranohen në të ardhmen. Kishat e regjistruar më parë mund të konvertoheshin, me kërkesën e tyre, në shoqata dhe të kryenin aktivitetet e tyre si të tilla. Megjithatë, sipas rregullave të reja që ato nuk kishin të drejtë për të përfituar subvencione buxhetore. Fillimisht (sipas Ligjit të Kishës të 1990), ka pasur 406 kisha të regjistruara, ndërsa Shtojca e Ligjit të Kishës së 2011 përmbante vetëm katërmbëdhjetë. Shtojca, e cila ishte në fuqi nga 1 marsi 2012, listonte njëzet e shtatë kisha dhe aleancash kishtare, pra një total prej tridhjetë e dy kishash. Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet tatimore, kjo listë prej tridhjetë e dy kishash nuk përputhej tërësisht me tridhjetë e dy kishat më shumë të mbështetura nëse mbështetja do matej me numrin e tatimpaguesve që dhuronin vullnetarisht taksa në favor të tyre.
Më 28 dhjetor 2012, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi, midis të tjerash, dispozitat e Dispozitat kalimtare të Ligjit Themeltar të cilat i jepnin të drejtën Parlamentit për të identifikuar kishat e njohura. Më 26 shkurt 2013 Gjykata Kushtetuese shfuqizoi edhe ato dispozita të Ligjit të Kishës të 2011 që i kishin privuar kërkuesit me forcën e ligjit nga statusi i tyre i të qënit kisha.
23. Edhe si përgjigje ndaj vendimeve të lartpërmendura të Gjykatës Kushtetuese, e drejta e Parlamentit për të dhënë statusin e veçantë kishtar u rifut në vetë ligjit themeltar, veçanërisht në Amendamentit e katërt të tij, i cili hyri në fuqi më 1 prill 2013. Kështu u bënë pjesë të Ligjit Themeltar termat "kishë" dhe "organizata të tjera që kryejnë veprimtari fetare", ku kishë u quajtën ato organizata me që Shteti i njeh si të tilla dhe me të cilat bashkëpunon për të promovuar objektivat e komunitetit. Në mënyrë të ngjashme, sipas Ligjit të Kishës të 2011, të ndryshuar me efekt prej 1 gushtit 2013, termi aktualisht në përdorim është "komunitete fetare"; ky term përfshin "kishat e njohura" (bevett egyház) dhe "organizata që kryejnë veprimtari fetare" (vallási tevékenységet végző szervezet). Megjithatë, të gjitha këto subjekte kanë të drejtë të përdorin fjalën "kishë" (egyház) në emrat e tyre.
24. Sipas rregullave në fuqi, që një bashkësi fetare të bëhet "kishë e njohur" duhet të provojë ose një ekzistencës ndërkombëtare njëqind vjeçare ose të dëshmojë se ka funksionuar në Shtetin hungarez për njëzet vjet në mënyrë të organizuar dhe ka një numër anëtarësh që përbëjnë minimalisht 0.1 për qind të popullsisë kombëtare. Për më tepër, ajo duhet të vërtetojë qëllimin dhe aftësinë e saj afatgjatë për të bashkëpunuar me shtetin për të çuar përpara objektiva të interesit publik. Nga ana tjetër, "organizatë që kryen aktivitete fetare" mund të bëhet çdo grup individësh që kanë të paktën dhjetë anëtarë mjafton të regjistrohen në gjykatë.
25. Amendamenti i pestë i Ligjit Themeltar (i cili hyri në fuqi më 1 tetor 2013) kishte si synim për të vënë theksin, edhe në nivel kushtetues, tek parimi se çdokush ka të drejtë të krijojë entitete të veçanta juridike ("komunitete fetare") që kanë për qëllim kryerjen e aktiviteteve fetare dhe se Shteti mund të bashkëpunojë me disa prej komuniteteve fetare që të nxisë realizimin e qëllimeve të komunitetit, duke i dhënë atyre statusin e "kishës së njohur". Për të pasqyruar uniformitetin e "kishave të njohura" dhe "organizatave të tjera që kryejnë veprimtari fetare" në aspektin e lirisë së fesë, këto terma u zëvendësuan me termin më të gjerë "komunitete fetare" në gjithë tekstin e Ligjit Themeltar.
Megjithatë, sipas legjislacionit hungarez në fuqi, kishat e njohura vazhdojnë të gëzojnë një trajtim preferencial, në veçanti në fushën e tatimeve dhe subvencioneve. Në veçanti, vetëm kishat e njohura kanë të drejtën e përfitimit të një për qind të tatimit mbi të ardhurat personale të dhuruara nga qytetarët dhe subvencioneve përkatëse shtetërore. Për më tepër në vendimin nr. 6/2013 (III. 1.), Gjykata Kushtetuese identifikoi në një listë jo shteruese (shih pikat 158-167 të vendimit në paragrafin 34 më poshtë), disa aktivitete, ushtrimi i të cilave është lehtësuar – në terma ligjor, ekonomik, financiar dhe praktikë - nga ligjvënësi në rastin e kishave të njohura, por jo në rastin e komuniteteve të tjera fetare. Këta shembuj përfshijnë edukimin fetar dhe aktivitetet e besimit në institucionet e Shtetit, funksionimin e varrezave përfshirë funeralet fetare, publikimin e materialeve fetare dhe prodhimin e tregtimin e objekteve fetare.
Pavarësisht nga fakti se kërkuesit e kanë rifituar formalisht statusin e tyre ligjor, ata nuk mund të përfitojnë nga trajtimi preferencial i sa më sipër, i cili është në dispozicion vetëm për kishave e njohura.
...
E DREJTA
....
II. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENEVE 9 DHE 11 TË KONVENTËS
44. Kërkuesit pretenduan në bazë të nenit 11 i marrë së bashku me nenin 9 se çregjistrim dhe ri regjistrimi diskrecionar i kishave përbënte shkelje të së drejtës së tyre për lirinë e fesë dhe të drejtës së tyre për lirinë e organizimit.
45. Gjykata vëren se në një rast të kohëve të fundit ajo ka shqyrtuar një kërkesë në thelb të ngjashme me kërkesën në fjalë, që kishte të bënte me refuzimin për të ri-regjistruar një organizatë fetare nga këndvështrimi i nenit 11 të Konventës i shqyrtuar në lidhje me nenin 9 (shih Dega e Moskës e Ushtrisë së Shpëtimit k. Rusisë, nr. 72881/01, §§ 74 dhe 75, ECHR 2006-XI). Gjykata e konsideron të përshtatshme të mbajë të njëjtin qëndrim në rastin në fjalë.
46. Neni 9 parashikon si më poshtë:
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë; kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë ose besimin dhe lirinë, qoftë individualisht ose kolektivisht, publikisht ose privatisht nëpërmjet kultit, mësimdhënies, praktikave dhe kryerjes së riteve.
2. Liria e shfaqjes së fesë ose besimeve të dikujt nuk mund t’i nënshtrohet kufizimeve të tjera, përveç atyre të parashikuara nga ligji dhe që përbëjnë masa të nevojshme në një shoqëri demokratike në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, të shëndetit ose të moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve.”
Neni 11 parashikon si më poshtë:
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së tubimit paqësor dhe të organizimit me të tjerët, duke përfshirë të drejtën e themelimit me të tjerë të sindikatave dhe të pjesëmarrjes në to për mbrojtjen e interesave të tij.
2. Ushtrimi i këtyre të drejtave nuk mund t’u nënshtrohet kufizimeve të tjera përveç atyre që parashikohen me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për ruajtjen e shëndetit ose të moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve...”
47. Qeveria e kundërshtoi këtë argument.
...
B. Themeli
1. Parashtrimet e palëve
(a) Qeveria
57. Qeveria parashtroi se aktet dhe ngjarjet për të cilat kërkuesin ankoheshin nuk përbënin ndërhyrje në të drejtën e tyre për lirinë e fesë dhe të drejtën e tyre për lirinë e organizimit.
58. Së pari, ata vërejtën se njohja si kishë sipas Ligjit të Kishës të 2011 nuk i cenonte të drejtat e ndryshme që lidhen me lirinë e fesë, përkatësisht të drejtën e lirisë së ndërgjegjes dhe fesë, të drejtën për të manifestuar fenë në bashkësi me të tjerët, lirinë nga diskriminimi në bazë të fesë apo besimit, të drejtën e prindërve për të siguruar edukimin e fëmijëve në përputhje me bindjet e tyre, të drejtën për lirinë e fesë në arsim, shërbimet sociale, institucionet e kujdesit të fëmijëve dhe në institucionet penale, lirinë për të shpërndarë nëpërmjet mediave besimet fetare dhe mbrojtjen e të dhënave personale në lidhje me fenë. Në kundërshtim me pretendimet e kërkuesve, këto të drejta, të cilat ishin elementët thelbësor të lirisë së fesë, nuk u rezervoheshin vetëm kishave të njohura dhe anëtarëve të tyre.
59. Së dyti, Qeveria parashtroi se, në krahasim me rastet e tjera të shqyrtuara më parë nga Gjykata, veçanërisht Dega e Moskës e Ushtrisë së Shpëtimit (cituar më lart, §§ 96-97), statusi si person juridik i komuniteve kërkuese nuk ishte në rrezik në rastin konkret. Kërkuesit nuk e kanë kundërshtuar faktin se ata nuk ishin privuar nga statusi i tyre si person juridik. Ata nuk ishin shpërbërë dhe kishin ruajtur kapacitetin e plotë të personave juridikë. Personaliteti i tyre juridik thjesht kishte ndryshuar formë sipas ligjit, pa asnjë periudhë ndërprerje. Prandaj, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje në të drejtat e kërkuesve sipas neneve 9 dhe 11 në këtë drejtim.
60. Më tej, Qeveria pohoi se liria e shfaqjes së fesë ose besimeve sipas nenit 9 nuk i jep komuniteteve apo pjesëtarëve të tyre të drejtën për të siguruar fonde shtesë nga buxheti i Shtetit. As nuk përfshin një të drejtë për të përfituar subvencione shtetërore që u ishin caktuar kishave për faktin se ishin të tilla. Prandaj, humbja e këtyre subvencioneve nuk mund të konsiderohet ndërhyrje në të drejtat e kërkuesve sipas nenit 9 të Konventës.
61. Gjithashtu, Qeveria parashtroi se, edhe në qoftë se Ligji i Kishës i 2011 do të konsiderohet si ndërhyrje, ai ishte një ligj i miratuar me shumicën e dy të tretave të anëtarëve të Parlamentit. Argumenti i kërkuesit se Ligji i Kishës i 2011 ishte i pavlefshëm sipas së drejtës publike nuk është mbështetur nga Gjykata Kushtetuese. Dispozitat e Ligjit të Kishës të 2011 të cilat ishin konstatuar si antikushtetuese nuk ndikonin në situatën e kërkuesve, ndërkohë që dispozita të tjera të kundërshtuara nga kërkuesit nuk ishin shpallur jo kushtetuese.
62. Për më tepër, ndërhyrja e kundërshtuar ishte bërë për një qëllim legjitim, atë të mbrojtjes së rendit publik dhe të drejtat dhe liritë e të tjerëve. Pas hyrjes në fuqi të Ligjit nr. CXXVI të 1996 mbi përdorimin e një shume të caktuar të tatimit mbi të ardhurat personale, në përputhje me udhëzimet e tatimpaguese dhe Traktatit të Vatikani të 1997 i cili rregullon financimin shtetëror të veprimtarisë së kishës, Ligji i Kishës i 1990 kishte nxitur abuzime të papritura të cilat nuk mund të parandaloheshin nëpërmjet kuadrit ligjore të krijuar nga Kushtetuta e 1989. Ligji i ri ishte miratuar në mënyrë që t’i jepte fund të ashtuquajturave "biznese kishtare", ku kishat i shërbenin vetëm qëllim të marrjes së subvencioneve shtetërore për mbështetjen e institucioneve që ofrojnë kujdes social dhe arsimim, apo edhe për përfitime personale, pa zhvilluar ndonjë veprimtari të mirëfilltë fetare. Deri në fund të vitit 2011 kishte, në mënyrë absurde, 406 kisha të regjistruara në Hungari. Për shkak të një pakësimi në burimeve buxhetore të Shtetit dhe një rënie paralele në burimet në dispozicion të organizatave që kryejnë aktivitete të mirëfillta fetare, kishte një nevojë të ngutshme sociale për t’i dhënë fund abuzimit me subvencionet e kishës.
63. Për më tepër, reforma e vazhdueshme e sistemit të përgjithshëm të financimit të institucioneve sociale dhe arsimore kishte kërkuar ndryshime në sistemin e financimit shtetëror të institucioneve të tilla që operohen nga komunitetet fetare. Prandaj, ka pasur një nevojë të ngutshme sociale për ndryshimin e rregullave për regjistrimin e kishave.
64. Duke ruajtur parimin se Shteti nuk duhet të ndërhynte në vetë përcaktimin e komunitetet fetare në terma teologjike, Ligji i Kishës i 2011 e përcaktonte nocionin e aktiviteteve fetare për qëllime të njohjes së kishave si pjesë e marrëdhënieve shtet-kishë nga një perspektivë ekskluzivisht ligjore. Legjislatura hungareze përcaktonte një sistem me dy nivele të statusit të personit juridik për bashkësitë fetare i ngjashëm me modelin që mbizotëron në një numër të Shteteve Evropiane. Komunitetet fetare të vetë-përcaktuar ishin të lira të vepronin si shoqatave në përputhje me nenet 9 dhe 11 të Konventës, ndërsa ato të cilat dëshironin të krijonin një marrëdhënie të veçantë me shtetin dhe të ndanin përgjegjësitë sociale të këtij të fundit do ti nënshtroheshin një vlerësimi nga ana e autoriteteve të natyrës së aktiviteteve të tyre
65. Qeveria argumentoi se qëndrimi i tyre ishte në përputhje me jurisprudencën e Konventës, sidomos në rastet kur Gjykata ishte mbështetur në qëndrimin e autoriteteve vendore në përcaktimin e "fesë" për qëllime të regjistrimit (ata iu referuan Kimlya dhe të Tjerët k. Rusisë, nr. 76836/01 dhe 32782/03, § 79, ECHR 2009). Prandaj, përkufizimi i veprimtarive fetare nga Ligji i Kishës i 2011 dhe vlerësimi i natyrës fetare të një organizate nga autoritetet shtetërore nuk ishin në kundërshtim me nenin 9 të Konventës. Ligji i Kishës i 2011 ishte në përputhje me kërkesat e neutralitetit dhe paanshmërisë pasi nuk bazohej në karakteristikat specifike të një feje të veçantë dhe ishte i prirur për të siguruar njohjen e një numri kishash që përfaqësonin një gamë të gjerë të feve dhe besimeve fetare.
66. Regjistrimi paraprak i një kishe në Hungari nuk duhet të konsiderohet si vendimtarë për njohjen e natyrës fetare të një organizate nga ana e autoriteteve, duke qenë se regjistrimi si kishë sipas Ligjit të Kishës të 1990 bazohej ekskluzivisht në vetë-përcaktimin e themeluesve të organizatës pa asnjë vlerësim substancial nga ana e autoriteteve. Ligji i Kishës i 2011 e përfshiu një vlerësim të tillë, me qëllim parandalimin e abuzimeve që rezultonin pikërisht nga rëndësia e tepruar që i jepej vetë përcaktimit nga ana e komuniteteve fetare. Gjykata Kushtetuese, në vendimin nr. 6/2013 (III. 1.), citonte shembuj ku autoritetet gjyqësore kompetente për çështjet e regjistrimit të kishës sipas Ligjit të Kishës të 1990 kishin kryer një rishikim të natyrës fetare të aktiviteteve të parashikuara në statutet e kishave të vetë-përcaktuara si të tilla të cilat kërkonin të regjistroheshin. Megjithatë, ky rishikim nuk kishte qenë sistematik dhe për më tepër nuk kishte një përkufizim ligjor të fesë dhe aktiviteteve fetare dhe rrjedhimisht praktika gjyqësore në këtë fushë kishin qenë të ndryshme. Vetëm ky vendim i Gjykatës Kushtetuese e bëri të qartë se, në kundërshtim me pohimet e kërkuesve, autoritetet shtetërore nuk ishin të ndaluara të verifikonin nëse besimet dhe praktikat fetare e organizatave fetare që dëshironin të shndërroheshin në kisha apo kishave ekzistuese, të ishin vërtet të një natyre fetare. Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese konstatoi se ushtrimit të kësaj kompetence nga ana e autoriteteve shtetërore t’i bashkëngjiteshin edhe garancitë e mëtejshme procedurale.
67. Qeveria pohoi se, në dritën e konstatimeve të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mungesën e garancive procedurale, vlerësimi substancial i natyrës fetare të aktiviteteve të një organizate, sipas Ligjit të Kishës së 2011 do të kryhej në mënyrë të paanshme dhe neutrale. Fillimisht, ligjvënësi kërkoi mendimin e një institucioni të pavarur siç ishte Akademia Hungareze e Shkencave, në ngjashmëri me procedurën mbi njohjen e pakicave kombëtare. Kur Akademia refuzoi për të ofronte ekspertizën e saj në fushat përkatëse, komisioni parlamentar për çështjet fetare vendosi të kërkonte udhëzime nga ekspertë të tjerë të pavarura dhe të besueshëm dhe për të vendosur nëse mësimet e një kishe e cila dëshironte të njihej si e tillë ishin të një natyre fetare u bazuar në faktin nëse gëzonte njohje ndërkombëtare. Duke pasur parasysh se Gjykata gjithashtu iu referua konsensusit evropian, si një parim udhëzues në përcaktimin e fesë, kjo qasje e autoriteteve hungareze nuk mund të konsiderohej si arbitrare apo se ishte jashtë sferës së tyre të vlerësimit.
68. Për sa i përket proporcionalitetit të masave të zbatuara për të arritur qëllimin e mësipërm, Qeveria deklaroi se metoda e "ri regjistrimit" të parashikuar nga Ligji i Kishës i 2011 ishte masa më pak kufizuese e mundshme dhe për këtë arsye ishte në proporcion me qëllimin e ndjekur. Ajo nuk vendoste një barrë të shpërpjesëtuar mbi organizatat fetare. Ato duhej vetëm të dorëzonin një deklaratë të thjeshtë të qëllimin për të vazhduar aktivitetet e tyre fetare dhe të bënin disa rregullime të vogla në statutet e tyre në mënyrë që të ruanin statusin e personit juridik. Gjithashtu ato ruanin të drejtën për të kërkuar statusin e tyre si kisha, duke ndjekur një procedurë të thjeshtë për njohjen nga ana e Parlamentit.
(b) Kërkuesit
69. Kërkuesit pretenduan se humbja e statusit të tyre të kishës, si rezultat i Ligjit të Kishës së 2011, përbënte ndërhyrje në lirinë e tyre të fesë. Për funksionimin e duhur të komuniteteve fetare ishte i nevojshëm gëzimi i një statusi të veçantë dhe të përshtatshëm ligjor, që është pikërisht statusi i kishës në kuptimin ligjor. Në Hungari, komunitetet fetare kanë pasur një mundësi të arsyeshme për t’u regjistruar si kishat që prej 1990 dhe kërkuesit në të vërtetë e kishin gëzuar këtë status. Fakti se më 1 janar 2012, pjesa më e madhe e kishave (duke përfshirë edhe ata vetë) kishin humbur statusin e kishës dhe ishin të detyruar të shndërroheshin në shoqata të zakonshme civile apo të pushonin fare së ekzistuari ligjërisht, përbënte një ndërhyrje në lirinë e tyre të fesë, veçanërisht se humbja e statusit të kishës i privonte ata nga privilegjet që i lehtësonin aktivitetet e tyre fetare. Duke qenë se këto privilegje u garantoheshin tani e tutje vetëm kishave të njohura nga Parlamenti i vendoste ata në një situatë e cila ishte në thelb e pafavorshme vis-à-vis këtyre kishave.
70. Kërkuesit pretenduan se e drejta e lirisë së fesë përfshin mundësin që anëtarët të organizohen lirisht pa ndërhyrjen arbitrare të Shtetit. Prandaj, Shteti ishte i ndaluar të rregullonte marrëdhëniet shtet-kishë në mënyrë arbitrare; çdo ndërhyrje në këtë fushë duhet të përcaktohej me ligj, të ndiqte një qëllim legjitim dhe të ishte e nevojshme në një shoqëri demokratike. Kërkesat që kanë të bëjnë me regjistrimin e kishave duhet të jenë objektive dhe të arsyeshme, sepse në këtë çështje Shtetit duhet të mbetet neutral dhe i paanshëm. Rrjedhimisht, nëse një komunitet fetar plotëson kushtet ligjore ai duhet të ketë të drejtë të regjistrohet si kishë dhe procedura e regjistrimit duhet të ofrojë garanci të drejtësisë.
71. Megjithatë, kushtet dhe procedura që rregullojnë ri regjistrimin e tyre si kisha jo vetëm ishin bërë më të rrepta krahasuar me sistemin sipas Ligjit të Kishës të 1990, por ishin bërë në mënyrë të paarsyeshme edhe më të rënda e të padrejta, duke lejuar Parlamentin të pengonte përpjekjet e tyre për ri regjistrim, në mënyrë arbitrare dhe bazuar në konsiderata politike.
72. Për sa i përket kushtit që një komunitetet duhet të ketë një ekzistencë të themeluar për një periudhe të gjatë, kërkuesit pranuan se ishte në fakt një kusht objektiv por megjithatë argumentuan se ishte i paarsyeshëm. Ata theksuan se regjimi komunist kishte përfunduar pak më shumë se njëzet vjet më parë në Hungari. Para kësaj periudhe, kishte qenë e vështirë për të mos thënë e pamundur për formimin e lëvizjeve të reja fetare në vend. Si pasojë, pothuajse të gjitha lëvizjet e reja fetare u përjashtuan nga avantazhi i të shndërruarit në një "kishë", në shkelje të nenit 9.
73. Përveç kësaj, Ligji i Kishës i 2011 përfshinte kritere më pak objektive si dhe në veçanti kërkesën që funksionimi i komunitetit fetar të mos paraqiste ndonjë kërcënim për sigurinë kombëtare dhe parimet e saj nuk duhet të shkelin të drejtën për shëndet, mbrojtjen e jetës dhe dinjitet njerëzore. Kërkesat e ri regjistrimit të kërkuesve nuk ishin pranuar edhe pse nuk ekzistonte asnjë dëshmi se ata përbën kërcënim për Shtetin dhe rendin publik.
74. Në dritën e sa më sipër, kërkuesit theksuan se, në bazë të Ligjit të Kishës së 2011, një komuniteti fetar mund t’i refuzohej kërkesa për regjistrim edhe nëse ishin plotësuar kriteret e zbatueshme objektive, një situatë e qartë arbitrariteti.
2. Vlerësimi i Gjykatës
(a) Parimet e përgjithshme
75. Gjykata rithekson se, liria e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë sipas nenit 9, është një nga themelet "shoqërisë demokratike" brenda kuptimit të Konventës. Ndërsa liria fetare është kryesisht një çështje e ndërgjegjes individuale, ajo nënkupton gjithashtu lirinë e "shfaqjes së fesë" individualisht dhe privatisht ose kolektivisht dhe publikisht ose brenda rrethit të atyre që ndajnë të njëjtin besim. Shfaqja, me fjalë dhe vepra, është tregues i ekzistencës së bindjeve fetare (shih Kokkinakis k. Greqisë, 25 maj 1993, § 31, Seria A nr. 260, dhe Buscarini dhe të Tjerët k. San Marinos [GC], nr. 24.645 / 94, § 34, ECHR 1999-I).
76. Gjykata nuk e konsideron të nevojshme për të vendosur in abstracto nëse akti i regjistrimit formal të komuniteteve fetare përbën ndërhyrje në të drejtat e mbrojtura nga neni 9 i Konventës. Megjithatë, ajo thekson se Shteti ka për detyrë të qëndrojë neutral dhe i paanshëm në ushtrimin e pushtetit të tij rregullator në sferën e lirisë fetare dhe në marrëdhëniet e tij me fe e besime të ndryshme (shih Kisha Metropolitan e Besarabisë, [nr. 45701/99 , ECHR 2001-XII], § 116, dhe Religionsgemeinschaft der Zeugen Jehovas, [nr. 40825/98, 31 korrik 2008], § 97). Faktet që dëshmojnë se autoritetet kanë dështuar të jenë neutral në ushtrimin e kompetencave të tyre në këtë fushë çojnë në përfundimin se Shteti ka ndërhyrë në lirinë e besimtarëve për të shfaqur fenë e tyre në kuptim të nenit 9 të Konventës. Gjykata rithekson se, për raste shumë të veçanta, e drejta e lirisë së fesë, e garantuar me Konventë, përjashton çdo liri veprimi nga ana e Shtetit për të përcaktuar nëse besimet fetare ose mjetet e përdorura për të shfaqur besime të tilla, janë të ligjshme (shih Hasan dhe Chaush [k. Bulgarisë [GC], nr. 30985/96, ECHR 2000-XI], §§ 77 78). Ndërkohë, detyrimi i Shtetit për të qenë neutral dhe i paanshëm, siç përcaktohet në jurisprudencën e Gjykatës, nuk pajtohet me asnjë pushtet nga ana e Shtetit për të vlerësuar legjitimitetin e besimeve fetare (shih Kisha Metropolitan e Besarabisë, cituar më lart, § 123).
77. Në këtë kontekst neni 9 duhet të interpretohet në dritën e nenit 11 të Konventës, i cili mbron lirinë e organizimit kundër ndërhyrjeve të pajustifikuara nga ana e Shtetit. Gjykata rikujton konkluzionet e saj në këtë drejtim, në rastin e Hasan dhe Chaush (cituar më lart, § 62):
“Gjykata rikujton se komunitetet fetare tradicionalisht dhe universalisht ekzistojnë në formën e strukturave të organizuara. Ato veprojnë në përputhje me rregulla, që shpesh konsiderohen nga pasuesit e tyre, si hyjnore. Ceremonitë fetare kanë kuptim dhe vlerë të shenjtë për besimtarët nëse kryhen nga klerikë të autorizuar për këtë qëllim në përputhje me këto rregulla. Klerikët janë pa dyshim personalitete të rëndësishëm për çdo anëtar të komunitetit. Kështu, pjesëmarrja në jetën e komunitetit është shfaqje e fesë, e mbrojtur me nenin 9 të Konventës.
Për çështje që kanë të bëjnë me organizimin e komunitetit fetar, neni 9 i Konventës duhet interpretuar në dritën e nenit 11, i cili mbron lirinë e organizimit kundrejt ndërhyrjeve të pajustifikuara nga ana e Shtetit. E parë në këtë këndvështrim, e drejta e besimtarëve për lirinë e fesë përfshin pritshmërinë që komuniteti të lejohet të funksionojnë në mënyrë paqësore, i lirë nga ndërhyrja arbitrare e Shtetit. Në të vërtetë, ekzistenca autonome e komuniteteve fetare është e domosdoshme për pluralizmin në një shoqëri demokratike dhe është kështu një çështje në zemër të mbrojtjes që garanton neni 9. Ajo ka të bëjë drejtpërdrejt jo vetëm me organizimin e komunitetit, si i tillë, por edhe gëzimin efektiv të së drejtës për lirinë e fesë nga të gjithë anëtarët e saj aktivë. Nëse nuk mbrohet liria e organizimit të komunitetit nga neni 9 i Konventës, të gjitha aspektet e tjera të lirisë së fesë do të bëhen vulnerabël”.
78. Gjykata më tej rithekson se aftësia për të krijuar një person juridik në mënyrë që të veprojë kolektivisht në një fushë të interesit të përbashkët, është një nga aspektet më të rëndësishme të lirisë së organizimit, pa të cilën kjo e drejtë do të privohej nga çdo kuptim. Gjykata vazhdimisht ka mbajtur qëndrimin se, refuzimi nga autoritetet vendase i dhënies së statusit të personit juridik një grupi të organizuar individësh përbën ndërhyrje në ushtrimin e të drejtës së tyre të lirisë së organizimit (shih Gorzelik dhe të Tjerë k. Polonisë [GC ], nr. 44158/98, § 52 dhe vijues, ECHR 2004-I, dhe Sidiropoulos dhe të Tjerë k. Greqisë, 10 korrik 1998, § 31 et pasues, Përmbledhje të Vendimeve 1998-IV). Shtetet kanë të drejtë të sigurohen se qëllimet dhe aktivitetet e një organizate janë në përputhje me rregullat e përcaktuara në legjislacion, por ata duhet ta bëjnë këtë në përputhje me detyrimet e tyre sipas Konventës dhe gjithashtu nën shqyrtimin e institucioneve të Konventës (shih Sidiropoulos, cituar më lart, § 40). Kur kemi të bëjmë me organizimin e komunitetit fetar, refuzimi për ta njohur atë është vendosur se përbën gjithashtu ndërhyrje në të drejtën e kërkuesve për lirinë e fesë në bazë të nenit 9 të Konventës (shih Kisha Metropolitan e Besarabisë, cituar më lart, § 105)
79. Fuqia e Shtetit për të mbrojtur institucionet dhe qytetarët e saj nga organizata që mund t’i rrezikojnë ata duhet të përdoret me masë si dhe përjashtimet nga rregulli e lirisë së organizmit duhet të interpretohen në mënyrë strikte dhe vetëm arsye të forta e bindëse mund të justifikojnë kufizimet e kësaj lirie. Çdo ndërhyrje duhet të korrespondojë me një "nevojë të ngutshme sociale". Kështu, nocioni "e nevojshme" nuk ka fleksibilitetin e shprehjeve të tilla si "e dobishme" apo "e dëshirueshme" (shih Gorzelik, cituar më lart, §§ 94-95, me referenca të mëtejshme).
80. Kur Gjykata kryen shqyrtimin, detyra e saj nuk është të zëvendësojë pikëpamjen e vet me atë të autoriteteve përkatëse kombëtare, por më tepër ka të bëjë me rishikimin e vendimeve që ata (autoritetet) kanë marrë në ushtrimin e pushtetit diskrecionar. Kjo nuk do të thotë se ajo duhet të kufizohet vetëm në konstatimin nëse Shteti i paditur ka ushtruar diskrecionin e tij në mënyrë të arsyeshme, të kujdesshme dhe në mirëbesim; ajo duhet ta shqyrtojë ndërhyrjen në dritën e çështjes në tërësi dhe të përcaktojë nëse ajo është "proporcionale me qëllimin legjitim të ndjekur" dhe nëse arsyet e paraqitura nga autoritetet kombëtare për ta justifikuar atë janë "relevante dhe të mjaftueshme". Kështu, Gjykata duhet të bindet se autoritetet kombëtare kanë zbatuar standardet të cilat janë në përputhje me parimet e mishëruara në Konventë dhe, për më tepër, se ata i kanë bazuar vendimet e tyre në një vlerësim të pranueshëm të fakteve përkatëse (shih Partia e Bashkuar Komuniste e Turqisë dhe të Tjerë k. Turqisë, 30 janar 1998 § 47, Raportet 1998-I, dhe Partidul Comunistilor (Nepeceristi) dhe Ungureanu k. Rumanisë, nr. 46626/99, § 49, ECHR 2005-I (ekstrakte)).
(b) Zbatimi i këtyre parimeve në çështjen në fjalë
(i) Nëse ka pasur ndërhyrje
81. Gjykata vëren se kërkuesit komunitete kishin ekzistuar në mënyrë të ligjshme dhe vepronin në Hungari si kisha të regjistruara nga gjykata kompetente në përputhje me Ligjin e Kishës të 1990. Ligji i Kishës i 2011 ndryshoi statusin e të gjitha kishave të regjistruara më parë në shoqata, përveç kishave të njohura të listuara në Shtojcën e Ligjit të Kishës të 2011. Nëse dëshironin të vazhdonin të ekzistonin si kisha, bashkësitë fetare duhet t’i drejtoheshin Parlamentit që t’i njihte si të tilla.
82. Gjykata ka konstatuar në dy raste të mëparshme (shih Dega e Moskës e Ushtrisë së Shpëtimit, cituar më lart, § 67, dhe Kisha e Sientologjisë së Moskës k. Rusisë, nr. 18147/02, § 78, 5 prill 2007) se refuzimi i ri regjistrimit përbënte ndërhyrje në të drejtën e një organizate fetar e për lirinë e organizimit dhe në të drejtën e lirisë së fesë.
83. Gjykata çmon se masa në çështje në fjalë, e cila çoi në çregjistrimin e kërkuesve si kisha, përbënte ndërhyrje në të drejtat e tyre të mishëruara në nenet 9 dhe 11. Tashmë ajo duhet të përcaktojë nëse ndërhyrja kënaq kërkesat e paragrafit 2 të këtyre dispozitave dhe konkretisht, nëse ishte "e parashikuar nga ligji", ndiqte një ose më shumë qëllime legjitime dhe nëse ishte "e nevojshme në një shoqëri demokratike" (shih, midis shumë të tjerash, Kisha Metropolitan e Besarabisë, të cituar më lart, § 106).
84. Fuqia e Shtetit në këtë fushë duhet të jetë e kufizuar; përjashtimet nga rregulli i lirisë së organizmit duhet të interpretohen në mënyrë strikte dhe vetëm arsye të forta dhe bindëse mund të justifikojnë kufizimet për atë liri. Në lidhje me këtë, Gjykata rithekson qëndrimi e saj siç është formuluar në rastet e Gorzelik (e cituar më lart, §§ 94-95) dhe Dëshmitarët e Jehovait të Moskës k. Rusisë, (nr. 302/02, § 100, 10 qershor 2010). Barra e provës kur është fjala për të demonstruar praninë e arsyeve bindëse është në Qeverinë e paditur (shih, mutatis mutandis, Vallianatos dhe të Tjerë k. Greqisë [GC], nr. 29381/09 dhe 32684/09, § 85, ECHR 2013). Kështu Qeveria në këtë rast duhet të tregojë se ishte e nevojshme, në ndjekje të qëllimeve legjitime ku ata u mbështetën, të ndalonin kishat e njohura tashmë për të ruajtur statusit të tyre në lidhje me aktivitetet e besimit, që është shfaqja e fesë.
(ii) Parashikuar nga ligji
85. Lidhur me këtë çështje nuk kishte mosmarrëveshje ndërmjet palëve. Gjykata është e bindur se ndërhyrja e kundërshtuar ishte e parashikuar nga ligji, konkretisht nga Ligji i Kishës i 2011.
(iii) Qëllimi legjitim
86. Qeveria parashtroi se ndërhyrja e kundërshtuar, nëse ekziston, mund të konsiderohet se ndjek qëllimet legjitime të mbrojtjes së të drejtave e lirive të të tjerëve si dhe mbrojtjen e rendit publik, në kuptim të nenit 9 § 2, duke eliminuar kështu entitet të cilat pretendojnë se ndjekin qëllimet fetare, por në të vërtetë përpiqen vetëm të përfitojnë financiarisht. Kërkuesit e kundërshtuan këtë qëndrim.
Gjykata çmon se masa në fjalë mund të konsiderohet se i shërben qëllimit legjitim të mbrojtjes së rendit dhe parandalimit të krimit të parashikuara në nenin 11 § 2, veçanërisht duke u përpjekur për të luftuar aktivitetet mashtruese.
(iv) E nevojshme në një shoqëri demokratike
(α) Gjerësia e hapësirës së vlerësimit
87. Sa i përket parimit të artikuluar në rastin e Kimlya dhe të Tjerë ku u mbështet Qeveria (§ 79, shih paragrafin 65 më lart), sipas të cilit natyra e kontestuar e mësimeve të Sientologjisë e bëri të domosdoshme që t’i jepej autoriteteve kombëtare vlerësimi i tyre, Gjykata vuri re se, mungesa e konsensusit evropian në atë rast, u vlerësua se tregohej me faktin se autoritetet e vendeve të ndryshme kishin filluar procedurat kundër përfaqësuesve të atij grupi fetar. Sipas mendimit të Gjykatës, këto veprime demonstronin ekzistencën aktuale të një mosmarrëveshjeje zyrtar në lidhje me natyrën fetare të mësimeve të kësaj feje. Në këtë kontekst të veçantë, për sa i përket karakterit të kundërshtuar të një feje, Shteti ka një hapësirë të gjerë në vlerësimin e mësimeve të saj.
88. Megjithatë, Gjykata është e mendimit se ky qëndrim nuk mund të përdoret automatikisht në situata ku një grup fetar thjesht nuk është i njohur ligjërisht si një kishë me të drejta të plota në një apo më shumë juridiksione evropiane. Kjo mungesë e thjeshtë e dukshme konsensusi nuk mund të sjellë një shkallë të njëjtë pranimi të kompetencës vlerësuese të autoriteteve kombëtare, veçanërisht kur çështja ka të bëjë me kuadrin e njohjes organizative të feve të pranuara në mënyra të tjera (kishave që më parë kishin qenë me të drejta të plota) dhe jo thjeshtë me pranimin e mësimeve të diskutueshme të një feje. Nëse do mendohej ndryshe atëherë fetë jo-tradicionale do të humbnin mbrojtjen e Konventës në një Shtet për shkak të faktit se ato nuk ishin të njohura ligjërisht si kishat në Shtete të tjera. Kjo do t’i bënte garancitë e ofruar nga nenet 9 dhe 11 kryesisht iluzive për sa i përket garantimit të formës së duhur organizative për besimet fetare.
89. Prandaj Gjykata vlerëson se, edhe pse Shtetet kanë një hapësirë të caktuar vlerësimi në këtë fushë, kjo nuk mund të shtrihet deri lënien plotësisht në dorë të kompetencës vlerësuese të autoriteteve kombëtare për sa i përket feve dhe organizatave fetare; zgjidhjet e zbatueshme ligjore të miratuara në një Shtet anëtar duhet të jetë në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës dhe subjekt i shqyrtimit të Gjykatës.
(β) Detyrimet pozitive
90. Gjykata vlerëson se Shteti ka detyrimin pozitiv për të miratuar një sistem njohjeje ligjore që lehtëson marrjen e statusit të personit juridik nga ana e komuniteteve fetare. Ky vlerësim vlen edhe në lidhje me përcaktimin nocionet të fesë dhe aktiviteteve fetare. Sipas mendimit të Gjykatës, këto përkufizime kanë pasoja të drejtpërdrejta në ushtrimin nga individi të së drejtës për lirinë e fesë dhe mund ta kufizojnë këtë të drejtë në rastet kur një veprimtari e caktuar e individit nuk është njohur si fetare. Qëndrimi i Komitetit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, të cilin e pranon edhe Gjykata është se..., përkufizimet e tilla nuk mund të interpretohen në dëm të formave jo-tradicionale të feve. Në këtë kontekst, Gjykata thekson se detyra e Shtetit për të qenë neutral dhe i paanshëm, të përcaktuara edhe në jurisprudencën e saj, është e papajtueshme me të drejtën e Shtetit për të vlerësuar legjitimitetin e besimeve fetare (shih Kisha Metropolitan e Besarabisë, cituar më lart, § § 118 dhe 123 dhe Hasan dhe Chaush, cituar më lart, § 62). Megjithatë, rasti i tanishëm nuk ka të bëjë me përkufizimin e fesë si të tillë në ligjin hungarez.
91. Gjykata më tej vëren se nuk ka asnjë të drejtë në bazë të nenit 11 i lexuar në lidhje me nenin 9 për sa i përket marrjes së një statusi të veçantë ligjor nga ana e organizatave fetare. Nenet 9 dhe 11 të Konventës i kërkojnë Shtetit vetëm të sigurojnë që komunitetet fetare të kenë mundësinë e marrjes së zotësisë juridike si subjekte të së drejtës civile; këto nene nuk kërkojnë që atyre t’u jepet një status i veçantë ligjor.
92. Dallimet për sa i përket statusit ligjor që u jepet bashkësive fetare nuk duhet t’i portretizojnë pasuesit e tyre nën një dritë të pafavorshme tek opinioni publik, i cili është i ndjeshëm ndaj vlerësimit zyrtar të një feje - dhe të kishës që e mishëron atë - nga ana e Shtetit në jetën publike. Në traditat e shumë vendeve, përcaktimi si kishë dhe njohja nga Shteti janë të rëndësishme për pozitën që gëzojnë komunitete fetare në shoqëri, pa të cilat ato mund të shihen si sekte të dyshimta. Me fjalë të tjera, refuzimi për të njohur një komunitet fetar si një kishë mund të shtojë paragjykimet kundrejt pasuesve të komuniteteve të tilla, shpesh të vogla, sidomos në rastin e feve që përcjellin mësime të reja apo të pazakonta.
93. Për sa i përket dallimeve në statusin ligjor dhe rrjedhimisht trajtimin e ndryshëm të komuniteteve fetare në drejtim të bashkëpunimit me Shtetin (kur Shteti, brenda hapësirës të tij të vlerësimit, zgjedh një model kushtetues të bashkëpunimit), Gjykata më tej vëren se, këto dallime ndikojnë në organizimin e komunitetit dhe rrjedhimisht edhe në praktikimin e fesë, individualisht ose kolektivisht. Në të vërtetë, organizatat fetare nuk janë thjesht instrumente për ndjekjen e qëllimeve individuale fetare. Në një mënyrë shumë të thellë, ato kontribuojnë në zhvillimin e lirë të individit dhe i shërbejnë pluralizmit në shoqëri. Mbrojtja e dhënë nga Konventa lirisë së organizimit të besimtarëve, mundëson që individët të marrin vendime kolektive për të realizuar projekte të përbashkëta të diktuara nga besime të përbashkëta.
94. Gjykata nuk mund të mos e vërë re rrezikun që pasuesit e një feje të ndjehen thjesht të toleruar- por jo të mirëpritur - nëse Shteti refuzon ta njohë dhe ta mbështesë organizimin e tyre fetare ndërkohë që nuk vepron kështu me besimet e tjera. Praktikimi kolektiv i fesë në formën e diktuar nga doktrina e saj është thelbësore për ushtrimin e lirë të së drejtës për lirinë e fesë. Sipas mendimit të Gjykatës, një situatë e tillë inferioriteti të perceptuar ka të bëjë me lirinë për të shfaqur fenë.
(γ) Çregjistrimi i kërkuesve komunitete fetare
95. Gjykata vëren se efekti i menjëhershëm i miratimit të Ligjit të Kishës së 2011 ishte se kërkuesit, të cilët më parë gëzonin statusin e kishave me të drejta të plota dhe përfitonin nga privilegjet, subvencionet dhe donacionet, e humbën këtë status dhe në rastin më të mirë, morën statusin e shoqatave, të cilat tashmë nuk kishin më përfitimet e mësipërme. Është e vërtetë se vendimi i mëvonshëm i Gjykatës Kushtetuese i dha fund kësaj ndërhyrje. Në parashtrimet e Qeverisë, ky vendim korrigjonte situatën e kundërshtuar; megjithatë, kërkuesit argumentuan se ata kurrë nuk do të mund të gëzonin përsëri statusin e tyre të mëparshëm pasi ai tashmë ishte dëmtuar.
96. Në vlerësimin e efektivitetit të çregjistrimit të kërkuesve komunitete, është e rëndësishme të theksohet se, ata ishin njohur më parë si kisha nga autoritetet hungareze nën legjislacionin në fuqi në kohë e aderimit të Hungarisë në sistemin e Konventës dhe i cili kishte mbetur në fuqi deri në miratimin e Ligjit të Kishës në vitin 2011.
Për më tepër, Gjykata vëren se - duke njohur shqetësimin e ligjshëm të Qeverisë për sa i përket problemeve që lidhen me numrin e madh të kishave ekzistuese dikur në vend (shih paragrafin 62 më sipër) - Qeveria nuk ka demonstruar se nuk ekzistonin zgjidhje më pak drastike se ato të ndërmarra, të tilla si kontrolli gjyqësor ose shpërbërja e kishave që rezultojnë të një karakteri abuziv, për problemin e perceptuar nga autoritetet.
97. Gjykata nuk mund të mos vërej se rezultati i legjislacionit të kundërshtuar ishte të privonte kishat ekzistuese dhe operacionale nga korniza së tyre ligjore dhe në disa raste pasojat ishin me ndikim të gjerë në aspektin material dhe në drejtim të reputacionit të tyre.
(δ) Mundësitë e ri regjistrimit për kërkuesit komunitete
98. Gjykata vëren se në bazë të legjislacionit në fuqi, në Hungari ekziston një sistem njohjeje të kishave me dy nivele. Një numër kishash, të ashtuquajturat kisha të njohura, gëzojnë statusin e plotë të kishës, duke përfshirë të drejtën për privilegje, subvencione dhe donacione të taksave. Pjesa tjetër e organizatave fetare, ndonëse të lira për të përdorur emrin "kishë", që nga gushti 2013 janë në një situatë shumë më pak të privilegjuar, me mundësi të kufizuara për të lëvizur nga kjo kategori në atë të një kishe të njohur. Kërkuesit në rastin në fjalë, dikur kisha me të drejta të plota, tashmë i përkasin kategorisë së dytë dhe të drejtat e tyre dhe mundësitë materiale për të shfaqur fenë e tyre ishin reduktuar ndjeshëm, krahasuar me përfitimet që kishin nga statusi i tyre i mëparshëm apo me kishat aktualisht të njohura.
99. Gjykata vëren se argumentet e Qeverisë duken se përqendrohen nga njëra anë mbi realizueshmërinë e kalimit nga statusi i kishës së njohur, dhe nga ana tjetër në arsyetimin e kushteve të përcaktuara për një kalim të tillë, sidomos kriteret objektive në lidhje me periudhën kohore të ekzistencës së kishës, minimumin e anëtarësimit dhe mungesën e një kërcënimi për sigurinë kombëtare, të përcaktuara së fundmi nga Parlamenti.
100. Për sa i përket sistemit të njohjes së kishave me dy nivele, Gjykata është e bindur se një skemë e tillë mund per se të bjerë brenda hapësirës së vlerësimit të Shteteve (shih Sindicatul "Păstorul cel Bun" k. Rumanisë [GC], nr. 2330/09 , § 138, ECHR 2013 (ekstrakte)). Megjithatë, çdo skemë e tillë normalisht i takon traditave historiko-kushtetuese të atyre vendeve që e zbatojnë atë dhe një sistem i Kishës së Shtetit mund të konsiderohet në përputhje me nenin 9 të Konventës, në veçanti nëse bëhet fjalë për një situatë e cila daton para ratifikimit të Konventës nga Shteti Kontraktues (shih Darby k. Suedisë, nr. 11581/85, Raporti i Komisionit, 9 maj, 1989, § 45, Seria A nr. 187).
Për shembull, Gjykata e ka pranuar më parë se financimi shtesë nga buxheti i shtetit ndaj Kishës së Shtetit nuk e shkel Konventën, për faktin se, midis të tjerash, punonjësit e Kishës së Shtetit ishin nëpunës civilë me të drejtat dhe detyrime në atë kapacitet kundrejt publikut të gjerë dhe jo vetëm kundrejt anëtarëve të komunitetit të tyre (shih Ásatrúarfélagið k. Islandës (vendim[1]), nr. 22897/08, § 34, 18 shtator 2012). E thënë në mënyrë më të përgjithshme, Gjykata shton se financimi i kishave dhe përfitimet e tjera materiale ose financiare, edhe pse nuk janë të papajtueshme me Konventën, nuk duhet të jenë diskriminuese apo të tepruara, pra në mënyrë të qartë jo proporcionale, krahasuar me ato që përfitojnë organizata të tjera në një shoqëri të caktuar për aktivitete të ngjashme.
101. Megjithatë, në rastin konkret, Gjykata konstaton se, Qeveria nuk ka paraqitura prova bindëse për të treguar se lista e kishave të njohura të përfshira në Shtojcën e Ligjit të Kishës të 2011, në fuqi aktualisht, reflekton plotësisht traditën historike hungareze, duke qenë se ajo nuk përfshin komunitete fetare kërkuese në këtë çështje dhe mesa kuptohet i referohet gjendjes që mbizotëronte në 1895 ... duke shpërfillur kështu zhvillimet më të fundit historike.
102. Gjykata vëren se, vendimi për njohjen e kishave merret me një shumicë dy të tretash nga Parlamenti, një institucion absolutisht politik. Komisioni i Venecias ka vërejtur se votat që kërkohen të arrihen janë të varura dukshëm nga rezultatet e zgjedhjeve ... Si rezultat, dhënia ose refuzimi i njohjes së kishës mund të jetë i lidhur me ngjarjet apo situatën politike. Një skemë e tillë në thelb nuk garanton neutralitetin dhe rrezikohet nga arbitrariteti. Një situatë në të cilën bashkësitë fetare janë të detyruara të ‘joshin’ partitë politike për të marrë vota e tyre është e papajtueshme me kërkesat e neutralitetit të Shtetit në këtë fushë.
103. Gjykata vlerëson se nuk mund të pritet në mënyrë të arsyeshme që kërkuesit komunitete fetare t’i nënshtrohen një procedurë që i mungojnë garancitë e vlerësimin objektiv në rrjedhën e një procedure të drejtë nga një organ jo-politik. ...
104. Duke lënë mënjanë rrezikun e cenimit të paanshmërisë së procedurës së ri regjistrimit nga faktori politik, Gjykata ka konstatuar se refuzimi i regjistrimit për faktin se nuk janë paraqitur informacionet e nevojshme në lidhje me parimet themelore të një feje mund të justifikohet në rrethana të veçanta kur është e nevojshme të përcaktohet nëse komuniteti fetar që kërkon njohjen paraqet rrezikshmëri për shoqërinë demokratike (shih Cârmuirea Spirituală a Musulmanilor din Republica Moldova k. Moldavisë (vendim[2]), nr. 12282/02, 14 qershor 2005). Megjithatë, në rastin në fjalë, Gjykata vëren se Qeveria nuk kishte parashtruar asnjë arsye që justifikonte vlerësimin nga e para e kishave tashmë aktive nga perspektiva e rrezikshmërisë së tyre potenciale në shoqëri, dhe aq më pak më pak për verifikimin e përmbajtjes së mësimeve të tyre, siç kërkohej në mënyrë implicite nga Ligji i Kishës i 2011 ... Për më tepër Qeveria nuk kishte paraqitur dëshmi të rrezikut aktual të subjekteve kërkuese (krahasoni Kisha e Sientologjisë së Moskës, cituar më lart, § 93). Gjykata vëren se në periudhën në fjalë, kërkuesit operonin ligjërisht prej disa vjetësh në Hungari si komunitete fetare. Nuk ishte paraqitur asnjë dëshmi para Gjykatës se gjatë asaj kohe autoritetet kishin nisur procedura që kundërshtonin ekzistencën e kërkuesve, veçanërisht me arsyetimin se ata po operonin në mënyrë të paligjshme apo abuzive. Prandaj, arsyet se përse këtyre komuniteteve u ishte kërkuar të ri regjistrohen duhet ishin madhore dhe detyruese (shih Kisha e Sientologjisë së Moskës, cituar më lart, § 96, dhe Dega e Moskës e Ushtrisë së Shpëtimit, cituar më lart, § 96). Në rastin në fjalë, këto arsye nuk ishin paraqitur nga autoritetet vendase.
105. Megjithatë, edhe duke supozuar se ekzistonin arsye të tilla madhore dhe detyruese, Gjykata konkludon se komuniteteve kërkuese nuk u ishte ofrua një mundësi e drejtë (shih Religionsgemeinschaft der Zeugen Jehovas, cituar më lart, § 92), për të marrë njohjen ligjore të kërkuar, kryesisht për arsye të natyrës politike të procedurës.
(ε) Mundësitë për komunitetet kërkuese që të gëzonin përfitimet materiale, për të shfaqur fenë e tyre dhe për të bashkëpunuar me Shtetin në këtë drejtim
106. Gjykata vëren se liria për të shfaqur fenë ose bindjet në bazë të nenit 9, nuk i jep komuniteteve kërkuese apo pjesëtarëve të tyre të drejtën për të siguruar fonde shtesë nga buxheti i shtetit (shih Ásatrúarfélagið, cituar më lart, § 31), por subvencionet që u janë dhënë në mënyra të ndryshme komuniteteve të ndryshme fetare - dhe kështu, në mënyrë indirekte, feve të ndryshme – kërkojnë një shqyrtim të rreptë (shih, mutatis mutandis, Gorzelik, cituar më lart, § 95).
107. Gjykata e ka pranuar tashmë se privilegjet e fituara nga komunitetet fetare, në veçanti në fushën e tatimeve, lehtësojnë arritjen e qëllimeve të tyre fetare (shih Association Les Témoins de Jéhovah k. Francës, nr. 8916/05, §§ 49 dhe 52- 53, 30 qershor 2011) dhe se për këtë arsye autoritetet shtetërore detyrohen, mbi në bazë të nenit 9 të Konventës, të qëndrojnë neutrale në ushtrimin e kompetencave të tyre (shih Religionsgemeinschaft der Zeugen Jehovas dhe të Tjerë k. Austrisë, cituar më lart, § 92 ) kur është fjala për dhënien e këtyre përfitimeve. Kur gjatë realizimit të detyrimeve të perceptuara pozitive në lidhje me nenet 9 dhe 11, Shteti ka vendosur vullnetarisht t’u njohë komuniteteve fetare të drejtën e marrjes së subvencioneve apo përfitimeve të tjera– dhe një e drejtë e tillë bie brenda sferës së gjerë të këtyre neneve të Konventës - ai nuk mund të marrë masat diskriminuese në dhënien e këtyre përfitimeve (shih, mutatis mutandis, E.B k. Francës [GC], nr. 43546/02, §§ 48-49, 22 janar 2008, dhe Savez crkava "riječ Zivota" dhe të Tjerë k. Kroacisë , nr. 7798/08, § 58, 9 dhjetor 2010). Në mënyrë të ngjashme, në qoftë se Shteti vendos t’u zvogëlojë apo heqë përfitime të caktuara organizatave fetare, një masë e tillë nuk mund të jetë diskriminuese.
108. Sipas mendimit të Gjykatës, Shteteve u duhet lënë një liri e konsiderueshme në zgjedhjen e formave të bashkëpunimit me komunitetet e ndryshme fetare, veçanërisht sepse këto të fundit ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra në aspektin e organizimit të tyre, numrit të anëtarëve dhe aktivitetet në bazë të mësimeve të tyre. Në mënyrë të veçantë, ai duhet të ketë një liri të tillë në zgjedhjen e partnerëve me të cilët ka për qëllim të bashkëpunojnë në aktivitete të caktuara. Prerogativa e lartë përmendur e Shtetit merr një rëndësi edhe më të madhe kur bëhet fjalë për detyra publike shoqërore të ndërmarra nga komunitetet fetare por jo të lidhura drejtpërdrejt me aktivitetet shpirtërore (për shembull, jo të lidhura me aktivitete bamirëse që rrjedhin nga detyrat e tyre fetare). Në këtë kontekst, Shtetet gëzojnë një liri të caktuar vlerësimi në formimin e një bashkëpunimi me komunitetet fetare. Në këtë pikë, Gjykata vëren kontekstin e veçantë të marrëdhënieve Shtet-Kishë në Hungari, dhe veçanërisht faktin se kishave hungareze u ishin privuar të drejtat e tyre pas 1945 ...
109. Shteti në zgjedhjen e partnerëve për realizimin e detyrave të interesit publik nuk mund të diskriminojnë ndërmjet komuniteteve fetare. Detyrimi i Shtetit për të qëndruar neutral kërkon që, ai të zgjedh komunitetet fetare me të cilat do të bashkëpunojë mbi bazën e kritereve të përcaktueshme që lidhen, për shembull, me kapacitetin e tyre materiale. Dallimet e bëra nga Shteti për sa i përket njohjes, bashkëpunimit dhe subvencioneve nuk duhet të prodhojnë një situatë në të cilën pasuesit e një komuniteti fetar të ndjehen qytetarë të dorës së dytë (për arsye fetare), për shkak të pozitës më pak të favorshme të komunitetit të tyre në raport me Shtetin.
110. Gjykata vëren se sipas së drejtës Hungareze kishat e njohura gëzojnë trajtim preferencial, veçanërisht në fushën e tatimeve dhe subvencioneve ... Avantazhet e fituara nga këto kisha janë substanciale dhe u lehtësojnë atyre të ndjekin qëllimet e tyre fetare, kjo për shkak të formës së tyre të veçantë organizative.
111. Sipas mendimit të Gjykatës, liria që u jepet Shteteve në rregullimin e marrëdhënieve të tyre me kishat, duhet të përfshijë mundësinë e modifikimit të privilegjeve të tilla me anë të masave legjislative. Megjithatë, kjo liri nuk mund të shkojë deri aty sa të mos respektohet detyrimi që ka Shteti në këtë fushë për neutralitet dhe paanshmëri.
Në rastin në fjalë, heqja e përfitimeve (që erdhi si rezultat i çregjistrimit të kishave dhe për rrjedhojë mos pasja e statusit të kishës së njohur) preku komunitete të caktuara, duke përfshirë kërkuesit. Është e vërtetë se komunitetet kërkuesi duket se nuk i përmbushin kriteret kumulative të përcaktuara nga ligjvënësi, veçanërisht në lidhje me numrin minimal të anëtarëve dhe kohëzgjatjen minimale të ekzistencës së tyre. Këto kritere, në mënyrë të diskutueshme, i kanë vendosur kërkuesit, disa prej të cilëve janë komunitete të reja dhe/ose të vogla, në një situatë të pafavorshme që është në kundërshtim me kërkesat e neutralitetit dhe paanshmërisë. Në lidhje me kushtin e një kohëzgjatjeje minimale të ekzistencës së grupeve fetare, Gjykata pranon se një kusht i tillë mund të jetë i nevojshëm në rastin e grupeve fetare të themeluara rishtazi dhe të panjohura. Por është e vështirë të justifikohej një kusht i tillë në rastin e grupeve fetare që ishin themeluar menjëherë pasi kishin rënë kufizimet e vendosura nga regjimi komunist në Hungari për sa i përket aktiviteteve rrëfyese dhe të cilat tashmë duhet të ishin të njohura për autoritetet kompetente, dhe jo të konsideroheshin se nuk plotësonin kushtin e periudhës minimale të kërkuar të ekzistencës. Në lidhje me këtë, Gjykata vëren pikëpamjen e Komisionit të Venecias, sipas të cilit këto periudha janë tepër të gjata...
112. Gjykata nuk gjen asnjë dëshmi që të tregojë se kërkuesit janë penguar të praktikojnë fenë e tyre si persona juridikë, pra, si shoqata, një status i cili u siguron atyre autonominë vis-à-vis Shtetit. Megjithatë, në bazë të legjislacionit në fuqi, disa aktivitete fetare të kryera nga kishat nuk ishin në dispozicion të shoqatave fetare, një faktor i cili, sipas mendimit të Gjykatës, ka një ndikim në të drejtën e këtyre të fundit për lirinë kolektive të fesë. Gjykata vëren në lidhje me këtë se, në vendimin nr. 6/2013 (III. 1.) Gjykata Kushtetuese identifikoi në një listë jo shteruese, tetë privilegje që u ishin dhënë vetëm kishave ... Më konkretisht, vetëm kishat e njohura kishin të drejtë për të përfituar një për qind të tatimit mbi të ardhurat personale që u jepej nga besimtarët dhe të subvencionit përkatës shtetëror. Këto shuma ishin të destinuara për të mbështetur aktivitetet që lidheshin me fenë. Për këtë arsye Gjykata konstaton se, ky diferencim nuk arrin të plotësojë kërkesat e neutralitetit të Shtetit dhe i mungon baza objektive. Një diskriminim i tillë imponon një barrë mbi besimtarët e bashkësive më të vogla fetare pa ndonjë arsye objektive dhe të justifikueshme.
113. Në lidhje me këtë, Gjykata shton se, në rastet kur Shteti, në përputhje me nenet 9 dhe 11, në mënyrë legjitime vendos një sistem në të cilin Shteti mandatohet kushtetueshmërisht që të aderojë në një fe të caktuar (shih Darby, cituar më lart), siç është rasti i disa vendeve evropiane, duke u ofruar kështu përfitime vetëm disa subjekteve fetare dhe jo të tjerëve në mbështetje të interesave publike të parashikuara ligjërisht, kjo duhet të bëhet në bazë të kritereve të arsyeshme që kanë të bëjnë me ndjekjen e interesave publike (shih, për shembull, Ásatrúarfélagið, cituar më lart).
114. Në funksion të këtyre konsideratave, Gjykata e konsideron të panevojshëm shqyrtimin e një diskriminimi të mundshëm në lidhje me funksionimin e varrezave, publikimeve fetare dhe prodhimin e shitjen e objekteve fetare, të cilat shpesh janë të lidhura me praktikën fetare. Gjithashtu, ajo e vlerëson të panevojshëm shqyrtimin e ndryshimeve në mundësitë për mësimin e fesë, punësim apo bashkëpunim me Shtetin për aktivitetet me interes publik.
(ζ) Përfundim
115. Gjykata arrin në përfundimin se, me heqjen e statusit të kishës kërkuesve nëpërmjet një procedure ri regjistrimi politikisht të ndikueshme dhe me arsye të cilat lënë shteg për dyshime (në vend që të zbatonte masa më pak të rrepta) dhe si rrjedhim në trajtimin e ndryshëm të kërkuesve krahasuar me kishat e njohura, jo vetëm në lidhje me mundësitë e bashkëpunimit, por edhe në lidhje me të drejtën për përfitime për qëllime të aktiviteteve fetare, autoritetet nuk e kishin respektuar detyrimin e tyre për të qenë neutralitet vis-à-vis komuniteteve kërkuese. Këto elemente, të marra veçmas dhe së bashku, janë të mjaftueshme për Gjykatën për të vendosur se masës së kundërshtuar nuk i korrespondon një "nevoje e ngutshme shoqërore".
Rrjedhimisht ka pasur shkelje të nenit 11 të Konventës i shqyrtuar në dritën e nenit 9.
...
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA,
...
6. Vendos, me pesë vota pro dhe dy kundër, se ka pasur shkelje të nenit 11 i shqyrtuar në dritën e nenit 9 të Konventës;
...
Përgatitur në gjuhën angleze dhe njoftuar me shkrim më 8 prill 2014 sipas nenit 77 § § 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Stanley NaismithGuido Raimondi
KancelarPresident
Në përputhje me nenin 45 § 2 të Konventës dhe nenit 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës mendimi i pakicës i gjyqtarit Spano, të cilit iu bashkua gjyqtari Raimondi i bashkëngjiten këtij vendim.
G.R.A.
S.H.N.
Mendimet e pakicës nuk janë të përkthyera, por gjendjen në gjuhën angleze dhe/ose franceze në versionet në gjuhën zyrtare të vendimeve, të cilat gjenden në bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës, HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015.
Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën dhe kjo e fundit nuk ka përgjegjësi për cilësinë e përkthimit. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, HUDOC (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash të cilës Gjykata ia përcjell. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo fitimprurëse me kushtin e përdorimit të titullit të plotë të çështjes, të dhënat e së drejtës së autorit dhe referencat përkatëse të Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse pjesë të këtij përkthimi do të përdoren për qëllime fitimprurëse, ju lutem kontaktoni: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015.
This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has to share it. It may be reproduced for non-commercial purpose on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for the commercial purpose please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015.
La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée a partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cite en rentier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
[1] për pranueshmërinë
[2] për pranueshmërinë
Full & Egal Universal Law Academy