Magyar Tartalomszolgáltatók Egyesülete dhe Index. hu Zrt kundër Hungarisë - 22947/13, Vendimi 2.2.2016 (Seksioni IV) Faktet - Kërkuesi i parë ishte një organ i vetë-rregulluar i ofruesve të informacioneve në internet dhe kërkuesi i dytë ishte pronar i një portali lajmesh në internet. Të dy kërkuesit u lejonin përdoruesve të komentonin në lidhje me publikimet që shfaqeshin në portalet e tyre. Komentet mund të ngarkoheshin pas regjistrimit dhe nuk korrektoheshin apo përshtateshin nga kërkuesit para publikimit. Portalet e kërkuesve përmbanin deklarime të heqjes dorë nga përgjegjësia duke u shprehur që komentet nuk reflektonin mendimin e vetë kërkuesve dhe një sistem njoftimi dhe fshirjeje, që u mundësonte lexuesve të kërkonin fshirjen e komenteve që përbënin shqetësim. Në shkurt 2010, kërkuesi i parë publikoi një opinion në lidhje me dy faqe interneti për menaxhimin e pasurive të paluajtshme, teksti i plotë i të cilave u publikua më vonë edhe në portalin e kërkuesit të dytë. Opinioni u bë objekt i komenteve të përdoruesve, disa prej të cilëve kritikonin faqet e internetit të menaxhimit të pasurive të paluajtshme në terma pezhorativë. Si rezultat, shoqëria që operonte faqet e internetit ngriti padi civile ndaj kërkuesve duke pretenduar kompensim për reputacionin e saj. Kërkuesit i hoqën menjëherë komentet ofenduese të përdoruesve. Megjithatë, gjykatat e brendshme i konsideruan ata të mbanin përgjegjësi faktike për publikimin e tyre dhe i urdhëruan të paguanin tarifat procedurale. Ligji - Neni 10: Gjykata duhej të vlerësonte nëse ishte gjetur balanca e duhur ndërmjet të drejtës së kërkuesit për lirinë e shprehjes në pajtim me Nenin 10 dhe të drejtës së shoqërisë paditëse për mos-cenimin e reputacionit sipas Nenit 8. Ky vlerësim duhej të bëhej sipas kritereve të vendosura nga Gjykata në çështjen orientuese të Delfi AS kundër Estonisë ((GC), 64569/09, 16 qershor 2015, Shënim informativ 186). (a) Konteksti në të cilin u postuan komentet - Artikulli për të cilin u postuan komentet kishin të bënin me praktikat e pretenduara jo-etike dhe mashtruese të biznesit të të dy faqeve të internetit të pasurive të paluajtshme, të cilat ishin bërë shkak për procedime të ndryshme ndaj shoqërisë që i operonte ato para organeve të mbrojtjes së konsumatorit. Kështu, komentet e shkaktuara nga artikulli mund të konsideroheshin sikur të ishin çështje me interes publik. Artikulli nuk ishte pa bazë faktike ose të provokonte komente ofenduese të kota. Nga ana e tyre, gjykatat e brendshme duket se nuk i kushtuan vëmendje rolit, sipas rastit, të luajtur nga kërkuesit në gjenerimin e komenteve. (b) Përmbajtja e komenteve - Gjykatat e brendshme i kishin përcaktuar komentet ofenduese, dëmtuese dhe poshtëruese në masë të paarsyeshme. Megjithatë, Gjykata vuri re që përdorimi i shprehjeve vulgare në vetvete nuk ishte vendimtare dhe nuk ishte e nevojshme tu kushtohej vëmendje tipareve specifike të stilit të komunikimit për portale të caktuar Interneti. Shprehjet e përdorura në komente, megjithëse i përkisnin një regjistri të ulët stili, ishin të zakonshme në komunikim për disa portale interneti, kështu që ndikimi që mund tu vishej atyre ishte i ulët. (c) Përgjegjësia e autorëve të komenteve - Gjykatat e brendshme kishin përcaktuar përgjegjësinë e kërkuesve për ‘shpërndarjen’ e deklarimeve shpifëse pa i hyrë një analize të proporcionalitetit për të përcaktuar përgjegjësinë përkatëse të autorëve të komenteve dhe të kërkuesve. Për më tepër, edhe nëse pranohet analiza e gjykatave të brendshme për ti konsideruar kërkuesit përgjegjës për komentet e palëve të treta, ishte e vështirë të përputhej me praktikën gjyqësore të Gjykatës që kërkonte ‘shkaqe veçanërisht të forta’ para se të parashikohej dënimi i një gazetari në lidhje me ndihmën në shpërndarjen e deklarimeve të bëra nga një palë e tretë. (d) Masat e marra nga kërkuesit dhe sjellja e palës së dëmtuar - Kërkuesit i kishin hequr komentet në fjalë menjëherë sapo u njoftuan në lidhje me fillimin e gjykimit civil. Ata gjithashtu kishin aktive masat për të parandaluar ose hequr komentet shpifëse në portalet e tre, duke përfshirë një deklarim për heqje dorë nga përgjegjësia, një ekip moderatorësh dhe një sistem njoftimi dhe fshirjeje. Megjithë këtë, gjykatat e brendshme i konsideruan ata përgjegjës për lejimin e postimit të komenteve të pafiltruara. Sipas Gjykatës, ky konstatim ishte shkak për të kërkuar një kujdes të tepruar dhe jopraktik i cili minon lirinë e publikimit të informacionit në Internet. Gjykata vërejti më tej që gjykatat e brendshme nuk kishin marrë parasysh faktin që shoqëria e paditur nuk i kishte kërkuar në asnjë moment kërkuesve të hiqnin komentet por shkuan drejtpërdrejt në gjykatë. (e) Pasojat për palën e dëmtuar dhe kërkuesit - Gjykata vërejti që objekti i diskutimit në çështjen në fjalë ishte reputacioni tregtar i një shoqërie private dhe jo reputacioni i një personi fizik, që gëzonte mbrojtje më të fortë. Për më tepër, nuk besohej që komentet do të kishin ndonjë ndikim shtesë dhe të konsiderueshëm mbi qëndrimin e konsumatorëve pasi hetimet në sjelljen e biznesit të shoqërisë paditëse kishte filluar para publikimit të artikullit. Sidoqoftë, gjykatat e brendshme nuk dukej se kishin vlerësuar nëse komentet arrinin nivelin e nevojshëm të rëndësisë dhe nëse ato ishin bërë në një mënyrë që shkaktonte dëm. Në lidhje me ndikimin e vendimeve mbi kërkuesit, megjithëse atyre nuk u ishte kërkuar të paguanin kompensim për dënim jo-pasuror, nuk mund të përjashtohej që një konstatim kundër tyre të përbënte bazën e një padie tjetër e cila mund të bëhej shkak për një vendim të tillë. Në çdo rast, çështja vendimtare ishte që përgjegjësia faktike për komentet e palëve të treta mund të kishte pasoja të parashikueshme negative për një portal interneti, për shembull duke i kërkuar tij për ta mbyllur rubrikën e komenteve plotësisht. Kjo nga ana tjetër mund të kishte një efekt kufizues mbi lirinë e shprehjes në Internet, që mund të ishte e dëmshme për një faqe interneti pa qëllime fitimi, si ajo që operohet nga kërkuesi i parë. Si përfundim dhe duke patur parasysh mungesën e shprehjes së urrejtjes ose kërcënimeve të drejtpërdrejta për integritetin fizik në komentet e përdoruesit, Gjykata konstatoi që nuk kishte shkak për të besuar që, nëse shoqërohej me procedura efektive që lejonin reagim të menjëhershëm, sistemi i njoftimit dhe i fshirjes nuk mund të ofronte një mundësi të qenësishme për të mbrojtur reputacionin tregtar të shoqërisë paditëse në çështjen në fjalë. Përfundimi: shkelje (unanimisht). Neni 41: Nuk u ngrit pretendim në lidhje me dëmin (Shih gjithashtu raportin faktik mbi të Drejtën e mbrojtjes së imazhit të personit dhe mbi shprehjen e Urrejtjes)
Full & Egal Universal Law Academy