© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA E MAKTOUF DHE DAMJANOVIĆ
kundër BOSNJE DHE HERCEGOVINËS
(Kërkesat nr. 2312/08 dhe nr. 34179/08)
VENDIM
STRASBURG
18 korrik 2013
Ky vendim është përfundimtar por mund t’i nënshtrohet rishikimit redaktues.
Në çështjen e Maktouf dhe Damjanović kundër Bosnje dhe Hercegovinës,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në Dhomën e Madhe të përbërë nga:
Dean Spielmann, Kryetar,
Josep Casadevall,
Guido Raimondi,
Ineta Ziemele,
Mark Villiger,
Isabelle Berro-Lefèvre,
David Thór Björgvinsson,
Päivi Hirvelä,
George Nicolaou,
Mirjana Lazarova Trajkovska,
Nona Tsotsoria,
Zdravka Kalaydjieva,
Nebojša Vučinić,
Kristina Pardalos,
Angelika Nußberger,
Paulo Pinto de Albuquerque,
Johannes Silvis, gjyqtarë,
dhe Michael O’Boyle, Zëvendës Kancelar,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 12 dhjetor 2012 dhe 19 qershor 2013,
Shpall vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në atë datë:
PROCEDURA
1. Çështja nisi me anë të dy kërkesave (nr. 2312/08 dhe nr. 34179/08) kundër Bosnje dhe Hercegovinës të depozituar në Gjykatë sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (“Konventa”) nga një shtetas irakian, Z. Abduladhim Maktouf, dhe një shtetas i Bosnje dhe Hercegovinës, Z. Goran Damjanović (“kërkuesit”) më 17 dhjetor 2007 dhe 20 qershor 2008 respektivisht.
2. Ankesat e kërkuesve kishin të bënin me procedurat penale në të cilat Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës (“Gjykata e Shtetit”) i kishte shpallur fajtorë dhe dënuar sipas dispozitave të Kodit Penal të Bosnje dhe Hercegovinës të vitit 2003 për krime lufte kundër civilëve të kryera gjatë luftës së viteve 1992-95. Ata u ankuan që dështimi i Gjykatës së Shtetit në zbatimin e Kodit Penal të ish-Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë të vitit 1976 (“ish-RSFJ”), i cili kishte qenë i zbatueshëm në kohën e kryerjes së krimeve të luftës, përbënte shkelje të rregullës së mos-prapaveprueshmërisë së dënimeve, të përcaktuar në nenin 7 të Konventës. Më tej, ata u mbështetën në nenin 14 të marrë në lidhje me nenin 7 të Konventës dhe nenin 1 të Protokollit nr. 12. Z. Maktouf gjithashtu u mbështet në nenin 6 § 1 të Konventës.
3. Kërkesat iu caktuan Seksionit të Katërt të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Më 31 gusht 2010 Kryetari i atij Seksioni vendosi të informonte Qeverinë e Bosnje dhe Hercegovinës (“Qeveria”) në lidhje me kërkesat. Gjithashtu, u vendos të merrej një vendim në lidhje me pranueshmërinë dhe themelet e kërkesave në të njëjtën kohë (neni 29 § 1). Më 10 korrik 2012, një Dhomë e Seksionit të Katërt, e përbërë nga gjyqtarët në vijim: Lech Garlicki, David Thór Björgvinsson, Päivi Hirvelä, George Nicolaou, Zdravka Kalaydjieva, Nebojša Vučinić dhe Ljiljana Mijović, dhe gjithashtu nga Lawrence Early, Kancelar i Seksionit, hoqën dorë nga juridiksioni në favor të Dhomës së Madhe, për çka asnjëra nga palët nuk pati kundërshtim (neni 30 i Konventës dhe neni 72 i Rregullores).
4. Përbërja e Dhomës së Madhe u përcaktua në përputhje me dispozitat e nenit 26 §§ 4 dhe 5 të Konventës dhe nenit 24. Faris Vehabović, gjyqtari i zgjedhur nga Bosnje dhe Hercegovina, nuk mundi të ishte pjesë e çështjes (neni 28). Kështu, Qeveria emëroi Angelika Nußberger, gjyqtare e zgjedhur nga Gjermania, për të marrë pjesë në gjyq në vend të tij (neni 26 § 4 i Konventës dhe neni 29 § 1).
5. Dhoma e Madhe vendosi t’i bashkonte kërkesat (neni 42 § 1 i Rregullores).
6. Palët paraqitën vërejtje me shkrim në lidhje me pranueshmërinë dhe themelet. Përveç kësaj, u pranuan komente të palëve të treta nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë, së cilës i ishte dhënë leje të ndërhynte në procedurën me shkrim (neni 36 § 2 i Konventës dhe neni 44 §§ 3 dhe 4).
7. Një seancë dëgjimore u mbajt në Godinën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, më 12 dhjetor 2012 (neni 54 § 3). Para Gjykatës dolën:
(a) për Qeverinë
Znj.Z. Ibrahimović,Zëvendës Agjente,
Znj.S. Malešić,Ndihmës Agjente,
Z.H. Vučinić,
Znj.M. Kapetanović,Këshilltarë;
(b) për kërkuesit
Z.S. Kreho,
Z.A. Lejlić
Z.A. Lozo
Z.I. MehićAvokatë,
Z.A. Kreho,
Z.H. Lozo,
Znj.N. Kisić,Këshilltarë.
Gjykata dëgjoi deklarata nga Znj. Ibrahimović dhe Z. Lejlić.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
A. Sfondi relevant
8. Pas deklaratës së pavarësisë nga ish-RSFJ në mars 1992, në Bosnje dhe Hercegovinë shpërtheu një luftë brutale. U vranë më shumë se 100.000 njerëz dhe u zhvendosën mbi 2.000.000 të tjerë si pasojë e “spastrimit etnik” apo dhunës në përgjithësi. Gjatë luftës u kryen krime të shumta, përfshirë ato të kryera nga kërkuesit në fjalë. Forcat vendase në vijim ishin palët kryesore në konflikt: ARBH[1] (e përbërë kryesisht nga bosnjakë[2] besnikë të autoriteteve qendrore në Sarajevë), HVO[3] (e përbërë kryesisht nga kroatë) dhe VRS[4] (e përbërë kryesisht nga serbë). Konflikti përfundoi në dhjetor 1995 me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Përgjithshme Kornizë të Paqes (“Marrëveshja e Dejtonit”). Sipas asaj Marrëveshjeje, Bosnja dhe Hercegovina përbëheshin nga dy Entitete: Federata e Bosnje dhe Hercegovinës dhe Republika Srpska.
9. Në përgjigje ndaj mizorive që po ndodhnin në atë kohë në territorin e ish-RSFJ, Këshilli i Sigurimit i OKB ngriti Tribunalin Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë (TNPJ; angl. ICTY) si institucion i përkohshëm[5]. Në vitin 2002, për t’u siguruar që misioni i tij kishte përfunduar me sukses, në kohën e duhur dhe në koordinim me sistemet ligjore vendase në ish-Jugosllavi, TPNJ filloi të hartonte një strategji përmbyllëse[6]. Ajo strategji u mbështet nga Këshilli i Sigurimit i OKB[7] dhe autoritetet e Bosnje dhe Hercegovinës (ata dekretuan amendamentet e nevojshme statutore dhe arritën marrëveshje me Përfaqësuesin e Lartë – një administrator ndërkombëtar i emëruar sipas Marrëveshjes së Dejtonit). Një komponent jetik i strategjisë ishte ngritja e dhomave të krimeve të luftës brenda Gjykatës së Shtetit të përbëra nga gjyqtarë ndërkombëtarë dhe vendas (shih paragrafët 34-36 poshtë).
B. Faktet lidhur me Z. Maktouf
10. Z. Maktouf është i lindur në vitin 1959 dhe jeton në Malajzi.
11. Më 19 tetor 1993 ai me dashje ndihmoi një palë të tretë për të rrëmbyer dy civilë në mënyrë që t’i shkëmbenin ata me anëtarë të forcave të ARBH të cilët ishin kapur nga forcat e HVO. Civilët u liruan disa ditë më pas.
12. Më 11 qershor 2004 kërkuesi u arrestua.
13. Më 1 korrik 2005 një Dhomë e Gjyqit e Gjykatës së Shtetit e gjeti atë fajtor për dhënien e ndihmës në marrjen e pengjeve si krim lufte dhe e dënoi me pesë vjet burgim sipas nenit 173 § 1 në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal të vitit 2003.
14. Më 24 nëntor 2005 një Dhomë e Apelit e asaj gjykate e prishi vendimin e 1 korrikut 2005 dhe caktoi një seancë të re. Më 4 prill 2006 Dhoma e Apelit, e përbërë nga dy gjyqtarë ndërkombëtarë (Gjyqtari Pietro Spera dhe Gjyqtari Finn Lynghjem) dhe një gjyqtar vendas (Gjyqtari Hilmo Vučinić), e shpalli kërkuesin fajtor për të njëjtën vepër penale dhe i caktoi të njëjtin dënim sipas Kodit Penal të vitit 2003. Për sa i përket dënimit, ajo u shpreh si vijon (përkthimi është siguruar nga Gjykata e Shtetit):
“Duke pasur parasysh shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit dhe pasojat e veprës penale, si dhe faktin që i akuzuari ka qenë ndihmës në kryerjen e veprës penale, dhe duke marrë parasysh rrethanat lehtësuese në favor të të akuzuarit, Dhoma ka zbatuar dispozitat mbi reduktimin e dënimit dhe e ka reduktuar dënimin në shkallën maksimale të mundshme, duke zbatuar dispozitën e nenit 50 § 1 (a) të [Kodit Penal të vitit 2003], duke e dënuar atë me burgim për një periudhë prej pesë vitesh, duke qenë e mendimit që dënimi i shqiptuar mund ta arrijë plotësisht qëllimin e ndëshkimit dhe që dënimi i shqiptuar do të ndikojë tek i akuzuari në mënyrë që ai të mos kryejë vepra të tjera penale në të ardhmen.”
15. Pas apelit kushtetues të kërkuesit, më 30 mars 2007 Gjykata Kushtetuese e shqyrtoi çështjen sipas neneve 5, 6, 7 dhe 14 të Konventës dhe nuk gjeti shkelje të Konventës. Vendimi iu dorëzua kërkuesit më 23 qershor 2007. Në vendimin e shumicës, në pjesën relevante, thuhet si vijon:
“42. Gjykata Kushtetuese thekson që seksioni 65 i [Ligjit për Gjykatën e Shtetit i vitit 2000], teksti fillestar i të cilit ishte vendosur me anë të një Vendimi të marrë nga Përfaqësuesi i Lartë e më pas ishte miratuar nga Asambleja Parlamentare e Bosnje dhe Hercegovinës, parashikon që gjatë periudhës tranzitore, e cila nuk mund t’i kalojë pesë vjet, Kolegjet e Seksionit I për Krime Lufte dhe Seksionit II për Krimin e Organizuar, Krimin Ekonomik dhe Korrupsionin duhet të përbëhen nga gjyqtarë vendas dhe ndërkombëtarë. Divizionet Penale dhe të Apelit mund të përbëhen nga disa gjyqtarë ndërkombëtarë. Gjyqtarët ndërkombëtarë nuk mund të jenë shtetas të Bosnje dhe Hercegovinës apo të një shteti fqinjë. Gjyqtarët ndërkombëtarë duhet të veprojnë si gjyqtarë të kolegjit në përputhje me dispozitat përkatëse të Ligjit për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Dëshmitarëve të Ndjeshëm të Bosnje dhe Hercegovinës dhe nuk mund të ndiqen penalisht, të arrestohen apo të burgosen, dhe as nuk mbajnë përgjegjësi në procedura penale për mendimet e shprehura apo vendimet e marra në vazhdën e kryerjes së detyrave të tyre zyrtare.
43. Përfaqësuesi i Lartë ‘... gjatë ushtrimit të pushtetit që ka Përfaqësuesi i Lartë sipas nenit V të Shtojcës 10 (Marrëveshja për Zbatimin Civil të Zgjidhjes për Paqe), ... sipas së cilës Përfaqësuesi i Lartë do të lehtësojë, ashtu siç e gjykon të nevojshme Përfaqësuesi i Lartë, zgjidhjen e të gjitha sfidave të mundshme në lidhje me zbatimin civil..., duke shënuar që komunikata e Bordit Drejtues i Këshillit për Zbatimin e Paqes e lëshuar në Sarajevë më 26 shtator 2003 deklaronte që Bordi kishte marrë parasysh Rezolutën 1503 të Këshillit të Sigurimit të OKB, e cila, inter alia, kërkonte që Bashkësia Ndërkombëtare të mbështeste punën e Përfaqësuesit të Lartë për të ngritur dhomën e krimeve të luftës..., duke theksuar që Rekomandimi i Përbashkët për Emërimin e Gjyqtarëve Ndërkombëtarë i nënshkruar nga Kancelari i Sekretarisë... dhe Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnje dhe Hercegovinës...,, [dhe] duke pasur parasysh dispozitat përkatëse të [Ligjit për Gjykatën e Shtetit të vitit 2000],’ më 24 shkurt dhe 28 prill 2005, mori Vendimet mbi Emërimin e Gjyqtarëve Ndërkombëtarë Finn Lynghjem dhe Pietro Spera pranë Seksionit I të Krimeve të Luftës së Divizioneve të Krimeve të Luftës dhe të Apelit në kuadër të [Gjykatës së Shtetit].
44. Sipas Vendimeve të lartpërmendura për Emërimin, gjyqtarët ndërkombëtarë duhet të shërbejnë për një mandat prej dy vitesh i cili mund të vazhdohet sipas ligjit. Gjyqtarët ndërkombëtarë nuk mund të kryejnë detyra të cilat nuk janë në pajtim me shërbimin e tyre gjyqësor. Të gjitha kërkesat e tjera lidhur me detyrën gjyqësore të përmendur në [Ligjin për Gjykatën e Shtetit të vitit 2000] janë të zbatueshme në këto emërime në shkallën më të lartë të mundshme. Kancelari ndërkombëtar i Sekretarisë informon Përfaqësuesin e Lartë për çdo ngjarje që mund ta pengojë gjyqtarin nga kryerja e detyrave të tij/saj. Gjatë mandatit të tij, gjyqtari duhet të veprojë në përputhje me standardet e sjelljes profesionale siç parashikohet nga [Gjykata e Shtetit]. Gjyqtari ndërkombëtar i emëruar duhet t’i kryejë detyrat e tij/saj në përputhje me ligjet e Bosnje dhe Hercegovinës dhe të marrë vendime mbi bazën e njohurive [dhe] aftësive të tij/saj në mënyrë të ndërgjegjshme, të përgjegjshme dhe të paanshme, duke fuqizuar sundimin e ligjit dhe duke mbrojtur të drejtat dhe liritë individuale njerëzore siç garantohen nga Kushtetuta e Bosnje dhe Hercegovinës dhe nga Konventa evropiane.
...
46. Kompetencat e Divizioneve të [Gjykatës së Shtetit] ku janë të emëruar gjyqtarët ndërkombëtarë përfshijnë, pa dyshim, çështje të caktuara që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare. Njohja e natyrës supranacionale të së drejtës penale ndërkombëtare, e vendosur përmes praktikës gjyqësore të Tribunaleve Ushtarake të Nurembergut dhe Tokios, Tribunalit në Hagë dhe Tribunalit për Ruandën, gjithashtu përfshin tribunalet ushtarake ndërkombëtare. Kjo sigurisht përfshin situatat në të cilat një numër i caktuar gjyqtarësh ndërkombëtarë emërohen pranë gjykatave vendase. Përfaqësuesi i Lartë gjithashtu i emëroi gjyqtarët ndërkombëtarë pranë [Gjykatës së Shtetit] në pajtim me pushtetin që kishte sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB, të miratuara në përputhje me Kreun VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Rekomandimit të Sekretarisë në pajtim me Marrëveshjen e 1 dhjetorit 2004, e cila gjithashtu u nënshkrua nga Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial; ka rëndësi të veçantë fakti që Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial, një organ i pavarur kompetent për emërimin e gjyqtarëve vendas, ishte i përfshirë në procedurën para emërimit.
47. Gjykata Kushtetuese vendos që gjyqtarët ndërkombëtarë të cilët kanë qenë anëtarë të Kolegjit që mori vendimin e kontestuar ishin emëruar në përputhje me një procedurë e cila ishte në pajtim me standardet e gjyqit të drejtë të parashikuara nga neni 6 i Konventës evropiane. Përveç kësaj, [Ligji për Gjykatën e Shtetit i vitit 2000], Marrëveshja e 1 dhjetorit 2004 dhe vendimet për [emërimet] e tyre krijuan parakushte dhe mekanizma të cilat sigurojnë pavarësinë e [gjyqtarëve] nga ndërhyrja apo ndikimi i autoritetit ekzekutiv apo autoriteteve ndërkombëtare. Gjyqtarët e emëruar në këtë mënyrë janë të detyruar të respektojnë dhe zbatojnë të gjitha rregullat përgjithësisht të zbatueshme në procedura penale në vend dhe të cilat janë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Kushtet e tyre të punës janë të përkufizuara dhe aktivitetet e tyre janë të monitoruara gjatë kësaj periudhe. Arsyetimi për emërimin e tyre ishte nevoja për të ngritur dhe fuqizuar gjykatat vendase gjatë periudhës tranzitore dhe për të mbështetur përpjekjet e atyre gjykatave në përcaktimin e përgjegjësisë për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe krimet me motive etnike. Prandaj, kjo synon sigurimin e pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqësorit dhe administrimin e drejtësisë. Edhe fakti që mënyra e emërimit u ndryshua me Marrëveshjen e mëpasme të 26 shtatorit 2006, në mënyrë të atillë që Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial i Bosnje dhe Hercegovinës është bërë përgjegjës për emërimin e gjyqtarëve ndërkombëtarë në vetvete nuk nënkupton automatikisht që emërimet e tyre fillestare, në mënyrën se si janë bërë në kohën e vendimeve të kontestuara, kanë qenë në kundërshtim me parimet e pavarësisë së gjykatës për sa i përket nenit 6 § 1 të Konventës evropiane. Gjykata Kushtetuese vendos që apeluesi nuk ka arritur të paraqiste argumente dhe prova bindëse në mbështetje të pretendimeve për mungesën e pavarësisë nga ana e gjyqtarëve ndërkombëtarë. Për sa u përket pretendimeve të apeluesit lidhur me mungesën e pavarësisë së gjyqtarit ndërkombëtar mbi bazën që ai është person me ‘përvojë të pamjaftueshme’, Gjykata Kushtetuese gjen që këto pretendime janë të pabazuara prima facie dhe nuk kërkojnë shqyrtim të zgjeruar. Duke pasur parasysh ato që u thanë më lart, Gjykata Kushtetuese arrin në përfundimin që pretendimet e apeluesit lidhur me mungesën e pavarësisë dhe shkeljen e ndërlidhur të standardeve për të drejtën e gjyqit të drejtë sipas nenit II(3)(e) të Kushtetutës së Bosnje dhe Hercegovinës dhe nenit 6 të Konventës evropiane janë të pabazuara.
...
60. Njëri nga argumentet kyçe të apeluesit i referohej marrëdhënies mes procedurave penale në fjalë dhe nenit 7 të Konventës evropiane, më saktësisht faktit që, siç deklaroi apeluesi, ai u dënua sipas [Kodit Penal të vitit 2003] në vend të [Kodit Penal të vitit 1976], i vlefshëm në kohën e veprave, i cili parashikonte dënim më të butë.
...
65. Në këtë rast, apeluesi njeh faktin që, sipas rregulloreve të zbatueshme në kohën materiale, vepra për të cilën ai u dënua përbënte vepër penale kur është kryer. Megjithatë, ai shprehimisht i referohet zbatimit të së drejtës substanciale në çështjen e tij dhe shqyrton kryesisht konceptin e një ‘dënimi më të butë’, pra ‘ligjit më të butë’. Ai konsideron se [Kodi Penal i vitit 1976], në fuqi kur është kryer vepra penale për të cilën ai u shpall fajtor, ku, inter alia, dënimi me vdekje parashikohej për format më të rënda të veprës, ishte ligj më i butë sesa [Kodi Penal i vitit 2000], i cili parashikon dënim me burgim afatgjatë për format më të rënda të veprës penale në fjalë.
...
69. Në këtë kontekst, Gjykata Kushtetuese gjen që thjesht nuk është e mundur të ‘eliminohet’ sanksioni më i rreptë i zbatueshëm sipas të dy kodeve, kodit të mëhershëm dhe kodit të mëvonshëm, dhe të zbatohet vetëm njëri sanksion më i butë, sepse kështu krimet më të rënda praktikisht do të dënoheshin në mënyrë të papërshtatshme. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese nuk do të paraqesë arsye apo analizë të hollësishme të këtyre rregulloreve por do të fokusohet tek përjashtimet e detyrimeve që dalin nga neni 7 § 1 i Konventës evropiane, të cilat janë të rregulluara, siç pranohet përgjithësisht, me anë të nenit 7 § 2.
70. Në një situatë të tillë, Gjykata Kushtetuese vëren që neni 7 § 2 i Konventës evropiane i referohet ‘parimeve të përgjithshme të së drejtës të njohura nga kombet e civilizuara’, dhe neni III(3)(b) i Kushtetutës së Bosnje dhe Hercegovinës përcakton që ‘parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare do të jenë pjesë integrale e ligjeve në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Entitetet e saj’. Rrjedh që këto parime përbëjnë pjesë integrale të sistemit ligjor të Bosnje dhe Hercegovinës, edhe pa ratifikimin e posaçëm të Konventave dhe dokumenteve të tjera që rregullojnë zbatimin e tyre, e kështu njëkohësisht përfshijnë Statutin e Tribunalit Ndërkombëtar për Ndjekjen Penale të Personave Përgjegjës për Shkelje të Rënda të së Drejtës Humanitare Ndërkombëtare të Kryera në Territorin e ish-RSFJ të vitit 1993.
71. Më tej, Gjykata Kushtetuese tërheq vëmendjen drejt faktit që Kushtetuta e Bosnje dhe Hercegovinës është pjesë e një marrëveshjeje ndërkombëtare dhe, ndërkohë që ky fakt nuk e zvogëlon rëndësinë e Kushtetutës, ai tregon qartë pozicionin e së drejtës ndërkombëtare në kuadër të sistemit ligjor të Bosnje dhe Hercegovinës, pra një sërë konventash ndërkombëtare si Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimeve të Gjenocidit (1948) dhe Konventa e Katërt e Gjenevës për Mbrojtjen e Civilëve në Kohë Lufte (1949) dhe Protokollet Shtesë I-II (1977), kanë status të barabartë me parimet kushtetuese dhe kanë zbatim të drejtpërdrejtë në Bosnje dhe Hercegovinë. Duhet të përmendet që ish-RSFJ ka qenë nënshkruese e Konventave të lartpërmendura, dhe që Bosnje dhe Hercegovina, si subjekt ndërkombëtarisht i njohur që ka shpallur pavarësinë më 6 mars 1992, i ka pranuar të gjitha Konventat e ratifikuara nga ish-RSFJ, pra Konventat e sapocekura, të cilat u përfshinë më pas në Shtojcën 4, pra në Kushtetutën e Bosnje dhe Hercegovinës.
72. Teksti i nenit 7 § 1 të Konventës evropiane është i kufizuar me çështjet në të cilat një person i akuzuar gjendet fajtor dhe dënohet për një vepër penale. Megjithatë, neni 7 § 1 i Konventës evropiane as nuk ndalon zbatimin prapaveprues të ligjeve, as nuk përfshin parimin non bis in idem. Më tej, neni 7 § 1 i Konventës evropiane nuk mund të zbatohej në çështje si ato që përmenden në Ligjin për Dëmet e Luftës të Mbretërisë së Bashkuar të vitit 1965, i cili ndryshoi me efekt prapaveprues rregullën e ligjit zakonor (common-law) për dhënien e kompensimit për pronë private në rrethana të caktuara të kohës së luftës.
73. Gjykata Kushtetuese shënon që neni 7 § 1 i Konventës evropiane ka të bëjë me vepra penale ‘sipas të drejtës vendase apo ndërkombëtare’. Gjykata Kushtetuese gjithashtu shënon, në mënyrë të veçantë, interpretimin e nenit 7 në disa tekste që merren më këtë çështje, të cilat bazohen në qëndrimin e Gjykatës evropiane që një dënim që rrjedh nga zbatimi prapaveprues i një ligji vendas nuk përbën shkelje të nenit 7 te Konventës evropiane kur një dënim i tillë është dhënë për shkak të një veprimi i cili ishte krim sipas ‘të drejtës ndërkombëtare’ në kohën kur është kryer. Ky qëndrim është posaçërisht relevant në çështjen në fjalë, dhe në çështje të ngjashme, duke pasur parasysh që pika kryesore e apelit i referohet zbatimit të së drejtës ndërkombëtare fillimisht, pra Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit (1948) dhe Konventa e Katërt e Gjenevës në lidhje me Mbrojtjen e Civilëve në Kohë Lufte (1949) dhe Protokollet Shtesë I-II (1977), e jo zbatimit të tekstit të një ligji penal apo një tjetri, pavarësisht nga përmbajtja e tyre apo dënimet e parashikuara në to.
74. Përveç kësaj, për sa i përket zbatimit prapaveprues të legjislacionit penal, Gjykata Kushtetuese thekson që neni 7 i Konventës evropiane është formuluar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore me synimin e posaçëm të përfshirjes së parimeve të përgjithshme të së drejtës të njohura nga kombet e civilizuara, ku nocioni i ‘kombeve të civilizuara’ u adoptua nga neni 38 i Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND, angl. ICJ), praktika gjyqësore e së cilës përgjithësisht njihet si burimi i tretë zyrtar i së drejtës ndërkombëtare. Me fjalë të tjera, Statuti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është i zbatueshëm në lidhje me vendet anëtare të GjND, dhe rregullat e vendosura prej tij shihen si burim i së drejtës, të cilat kanë të bëjnë edhe me autoritetet bashkiake. Si Statuti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ashtu edhe neni 7 i Konventës evropiane e tejkalojnë kornizën e të drejtës vendase, dhe u referohen ‘kombeve’ në përgjithësi. Rrjedhimisht, Gjykata Kushtetuese vendos që standardet e zbatimit të tyre duhet të kërkohen në këtë kontekst, dhe jo thjesht brenda një kornize kombëtare.
75. Më tej Gjykata Kushtetuese shënon që travaux préparatoires i referohen tekstit të paragrafit 2 të Konventës evropiane, i cili është llogaritur që ‘ta bëjë të qartë që neni 7 nuk ka efekt mbi ligjet e miratuara në rrethana të caktuara pas Luftës së Dytë Botërore dhe që synon dënimin e krimeve të luftës, tradhtisë dhe bashkëpunimit me armikun, e nuk synon mosmiratimin qoftë moral, qoftë ligjor të këtyre ligjeve’ (shih X kundër Belgjikës, nr. 268/57, Libri i Vitit 1 (1957); ... krahaso De Becker kundër Belgjikës nr. 214/56), Libri i Vitit 2 (1958)). Në fakt, teksti i nenit 7 të Konventës evropiane nuk është kufizues dhe duhet të konceptohet në mënyrë dinamike me qëllim që të përfshihen edhe veprime të tjera të cilat nënkuptojnë sjellje imorale që njihet përgjithësisht si kriminale sipas ligjeve vendase. Kështu, Ligji për Krimet e Luftës i Britanisë së Madhe i vitit 1991 u jep gjykatave britanike juridiksion prapaveprues në lidhje me disa shkelje të rënda të ligjit, siç është vrasja, vrasja pa paramendim, apo vrasja e fajësueshme, të kryera në territorin e pushtuar nga Gjermania gjatë Luftës së Dytë Botërore.
76. Sipas mendimit të Gjykatës Kushtetuese, e gjitha sa u tha më lart vërteton që krimet e luftës janë ‘krime sipas të drejtës ndërkombëtare’, duke pasur parasysh juridiksionin universal të zhvillimit të procedurave, në mënyrë që dënimet për vepra të tilla të mos jenë në papajtueshmëri me nenin 7 § 1 të Konventës evropiane, sipas një ligji i cili më pas përkufizoi dhe konstatoi disa akte të caktuara si penale dhe përcaktoi sanksione penale, aty ku këto akte nuk përbënin vepra penale sipas ligjit të zbatueshëm në kohën kur ishte kryer vepra. Më 4 maj 2000 Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut mori vendim në çështjen Naletilić kundër Republikës së Kroacisë (nr. 51891/99). Nga ai vendim rrjedh që kërkuesi ishte ngarkuar nga Prokuroria e Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavi me akuza për krime lufte të kryera të territorin e Bosnje dhe Hercegovinës, dhe që ai paraqiti ankesa të cilat ishin identike me ato të apeluesit në rastin konkret, pra ai kërkonte zbatimin e ‘ligjit më të butë’. Ai diskutoi që Kodi Penal i Republikës së Kroacisë përcaktonte një sanksion penal më të butë sesa Statuti i Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë, dhe kërkoi zbatimin e nenit 7 të Konventës evropiane. Në vendimin e saj, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut mori në konsideratë zbatimin e nenit 7 dhe theksoi si vijon: ‘Për sa i përket diskutimit të kërkuesit që ai mund të marrë nga TNPJ një dënim më të rëndë sesa dënimi që do të mund të merrte nga gjykatat vendase, nëse këto të fundit do të ushtronin juridiksionin e tyre për finalizimin e procedurave kundër tij, Gjykata vëren se, edhe nëse presupozojmë që neni 7 i Konventës i zbatohet çështjes në fjalë, dispozita specifike e zbatueshme për të do të ishte paragrafi 2 e jo paragrafi 1 i nenit 7 të Konventës. Kjo do të thotë që fjalia e dytë e nenit 7 paragrafi 1 i Konventës në të cilin mbështetet kërkuesi nuk do të mund të ishte i zbatueshëm. Rrjedh që zbatimi është dukshëm i pabazuar ... dhe, prandaj, duhet të refuzohet ...’
77. Së fundi, Gjykata Kushtetuese vë në pah se Gjyqet për Krime Lufte të Nurembergut dhe Tokios janë zhvilluar në vitet 1945 dhe 1946, pas Luftës së Dytë Botërore, për krime të cilat vetëm më vonë, pra me Konventën e Gjenevës, u përkufizuan si krime lufte, krime kundër njerëzimit, krime gjenocidi etj. Lufta agresive u përkufizua si ‘krim ndërkombëtar’, siç u konfirmua nga Komisioni Ndërkombëtar i Ligjit në Librin e Vitit 1957, Vëll. II. Gjithashtu, në atë kohë u mbajtën edhe diskutime të ndërlidhura mbi parimin e nullum crimen nulla poena sine lege. Kjo vlen edhe në lidhje me Statutin e Tribunalit Ndërkombëtar për Ndjekjen e Personave Përgjegjës për Shkelje të Rënda të së Drejtës Humanitare Ndërkombëtare të Kryera në Territorin e ish-Jugosllavisë të vitit 1993.
78. Është krejt e qartë se koncepti i përgjegjësisë penale individuale për akte të kryera në kundërshtim me Konventën e Gjenevës apo me ligjet përkatëse vendase është i lidhur ngusht me nocionin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, meqenëse konventat për të drejtat e njeriut dhe konventat e ndërlidhura kanë të bëjnë me të drejtën për jetë, të drejtën për integritet fizik dhe emocional, ndalimin e skllavërisë dhe torturës, ndalimin e diskriminimit etj. Sipas mendimit të Gjykatës Kushtetuese, duket se mungesa e mbrojtjes për viktimat, pra sanksione të papërshtatshme për kryesit e krimit, nuk është në pajtueshmëri me parimin e drejtësisë dhe sundimit të ligjit siç ngërthehet në nenin 7 të Konventës evropiane, paragrafi 2 i të cilit e lejon këtë përjashtim nga rregulla e përcaktuar në paragrafin 1 të të njëjtit nen.
79. Në kuadër të atyre që u thanë më lart, dhe duke pasur parasysh zbatimin e nenit 4a të [Kodit Penal të vitit 2003] në lidhje me nenin 7 § 1 të Konventës evropiane, Gjykata Kushtetuese del në përfundimin që, në çështjen në fjalë, zbatimi i [Kodit Penal të vitit 2003] në procedurat e zhvilluara para [Gjykatës së Shtetit] nuk përbëjnë shkelje të nenit 7 § 1 të Konventës evropiane.”
16. Në pjesën relevante të mendimit pakicë të Gjyqtarit Mato Tadić, e bashkangjitur në atë vendim, thuhet:
“Në përputhje me nenin 41 § 2 të Rregullores së Gjykatës Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës (Gazeta Zyrtare e Bosnje dhe Hercegovinës nr. 60/50), paraqes këtu ndaras mendimin tim pakicë, në të cilin shpreh mospajtimin tim me mendimin e shumicës së Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës në vendimin e lartpërmendur, për arsyet e mëposhtme:
...
Unë mendoj se para gjykatave vendase duhet të zbatohet ligji më i butë, pra ligji që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale. Nuk është e lehtë të jepet përgjigje se cili ligj është më i butë, dhe kjo çështje ligjore është më komplekse sesa duket. Duke pasur parasysh rreth dhjetë kritere që janë zhvilluar përmes teorisë dhe praktikës, mund të dilet në përfundimin që në rastin konkret dënimi i parashikuar është faktor kyç i cili është relevant për pyetjen se cili ligj është më i butë. Meqenëse e njëjta vepër penale ekzistonte (neni 142 i [Kodit Penal të vitit 1976]) sipas legjislacionit penal të ish-Jugosllavisë, çka Bosnje dhe Hercegovina e trashëgoi me anë të Dekretit të vitit 1992, dhe i cili parashikonte një dënim prej pesë vitesh burgim ose dënimin me vdekje, ndërsa legjislacioni i ri penal i zbatuar në çështjen në fjalë (neni 173 i [Kodit Penal të vitit 2003]) parashikon një dënim me dhjetë vite burgim ose burgim afatgjatë, pyetja themelore është se cili ligj është më i butë. Në shikim të parë, [Kodi Penal i vitit 2003] është më i butë, sepse ai nuk parashikon dënimin me vdekje. Megjithatë, duke pasur parasysh që pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Uashingtonit dhe Kushtetutës së Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës të vitit 1994, dënimi me vdekje u hoq, ashtu siç thjesht u konfirmua në Kushtetutën e Bosnje dhe Hercegovinës nga viti 1995, dhe duke marrë parasysh qëndrimet e gjykatave të rëndomta në Bosnje dhe Hercegovinë, Entiteteve dhe Distriktit Brčko (Gjykata Supreme e Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Gjykata Supreme e Republika Srpska, dhe Gjykata e Apelit të Distriktit Brčko) që dënimi me vdekje nuk do të shqiptohej (ky qëndrim u mbajt edhe nga Dhoma e të Drejtave të Njeriut në çështjen Damjanović dhe Herak kundër Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës), duket se ligji i vitit 1992 është më i butë. Duke marrë parasysh qëndrimet e mësipërme të gjykatave dhe ligjin, kohëzgjatja maksimale e burgimit që mund të shqiptohet për këtë vepër penale është 20 vjet.
Referenca ndaj nenit 7 § 2 të Konventës evropiane në rastin konkret nuk është relevante. Neni 7 § 2 i Konventës evropiane ka detyrën parësore të ofrimit të një baze për ndjekjen penale të shkeljeve të Konventave të Gjenevës para organeve ndërkombëtare të ngritura për t’u marrë me çështje të tilla, për shembull Tribunalet Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën, dhe të ofrimit të një baze ligjore për çështjet në pritje para gjykatave vendase aty ku legjislacioni vendas ka dështuar në përcaktimin e veprimeve në fjalë si vepra penale. Me fjalë të tjera, kjo ndodh kur legjislatura dështon të përfshijë të gjitha elementet që i karakterizojnë veprat në fjalë ashtu siç referohet nga Konventat e Gjenevës. Rasti konkret nuk e ngre këtë çështje. Vepra penale në fjalë ka ekzistuar në legjislacionin vendas, edhe kur është kryer vepra edhe në kohën e gjyqit, prandaj të gjitha mekanizmat e të drejtës penale dhe të të drejtave të mbrojtura kushtetuese duhet të zbatohen në mënyrë të vazhdueshme, përfshirë të drejtat e garantuara sipas Konventës evropiane. Çështja Naletelić nuk është relevante këtu sepse ajo kishte të bënte me një prokuror ndërkombëtar i cili akuzoi [kërkuesin] para një tribunali ndërkombëtar i cili ishte ngritur mbi një bazë të veçantë dhe ka pushtetin e përcaktuar nga Rezoluta e Kombeve të Bashkuara dhe Statuti i tij; ai nuk zbaton legjislacionin kombëtar por procedurat dhe sanksionet/dënimet e veta. Sikur të ishte ndryshe, shumë pak persona të akuzuar do t’i përgjigjeshin fletëthirrjes për procedura para gjykatës. Kështu, unë jam i mendimit që qëndrimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në çështjen Naletelić ka qenë plotësisht i saktë, por që ky qëndrim nuk mund të zbatohet në rastin konkret.
Konsideroj që referenca e gjerë tek gjykata ndërkombëtar është krejtësisht e panevojshme, si referenca ndaj juridiksionit të saj etj., meqenëse këtu thjesht bëhet fjalë për gjykatën vendase që zhvillon një gjyq në përputhje me legjislacionin vendas, dhe nuk përfshin një çështje e cila i është transferuar një tribunali ndërkombëtar.
Pjesa më e madhe e vendimit në çështjen Naletelić ka të bëjë me histori (Nuremberg, Tokio) dhe, përgjithësisht, me një aspekt ndërkombëtar i cili është krejtësisht i panevojshëm në rastin konkret, sepse legjislacioni ynë kombëtar, siç u tha më lart, e përfshinte këtë vepër penale dhe, kur vepra është kryer, sanksioni ka qenë i parashikuar, ndryshe nga rasti i Nurembergut. Për më tepër, apeluesi nuk po e konteston këtë. Në fakt, është vetë apeluesi ai që vuri në pah se legjislacioni vendas i kishte pasur aktet inkriminuese të kodifikuara dhe të sanksionuara si vepra penale, dhe apeluesi po kërkon vetëm që ai të zbatohet. Ai gjithashtu deklaroi që, për shkak të dështimit për të zbatuar nenin 142 të [Kodit Penal të vitit 1976] të trashëguar në vend të [Kodit Penal të vitit 2003], kishte pasur shkelje të Kushtetutës dhe të nenit 7 § 1 të Konventës evropiane.
Për të mos e zgjatur shpjegimin, do të bëj një përmbledhje të opinionit të Z. Antonio Cassese, profesori i shquar i Universitetit Shtetëror të Firences, i cili ka qenë i emëruar Kryetar i Tribunalit Ndërkombëtar Penal në Hagë. Në një dokument të vitit 2003 të titulluar ‘Mendim mbi Mundësinë e Zbatimit Prapaveprues të Disa Dispozitave të Kodit të Ri Penal të Bosnje dhe Hercegovinës’, Profesor Cassese doli në përfundimin që vijon: ‘Së fundi, të merremi me çështjen nëse [Gjykata e Shtetit] duhet të zbatojë sanksionin më të butë në rastin e një krimi për të cilin kodi i ri penal parashikon një dënim më të rëndë sesa ai që parashikonte kodi i mëparshëm. Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje mund të jetë vetëm pozitive. Ky përfundim mbështetet mbi dy baza ligjore: së pari, ka një parim të përgjithshëm të së drejtës ndërkombëtare sipas të cilit, nëse një krim i vetëm parashikohet nga dy dispozita të njëpasnjëshme ku njëra përcakton një dënim më pak të rreptë, ai dënim duhet të vendoset sipas parimit favor libertatis; së dyti, ky parim përmendet me saktësi në nenin 7 § 1 të Konventës evropiane për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave Themelore të Njeriut, ku deklarohet që nuk do të caktohet dënim më i rëndë sesa ai që është i zbatueshëm në kohën e kryerjes së veprës penale. Rrjedhimisht, [Gjykata e Shtetit] duhet të zbatojë gjithmonë dënimin më të butë kurdo që ka dallime mes gjatësisë së dënimit kur ky krahasohet me dispozitën e re penale. Është e qartë se zbatimi prapaveprues i kodit penal ka të bëjë vetëm me dënimin dhe jo me elemente të tjera të këtij neni.’
...
Për arsyet e lartpërmendura, nuk do të mund të pajtohesha plotësisht me mendimin e shumicës i cili paraqitet në këtë vendim.”
17. Më 12 qershor 2009 kërkuesi e përfundoi dënimin e tij dhe u largua nga vendi menjëherë më pas.
C. Faktet lidhur me Z. Damjanović
18. Z. Damjanović është i lindur në vitin 1966. Ai vazhdon të vuajë dënimin në Burgun Foča.
19. Më 2 qershor 1992, gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, ai luajti rol të spikatur në rrahjen e Bosnjakëve të kapur në Sarajevë, në një ngjarje e cila zgjati nga një deri në tri orë dhe u krye duke përdorur pushkë, shkopinj gome, shishe, shkelma dhe grushte. Më pas viktimat u dërguan në një kamp internimi.
20. Më 17 tetor 2005 një Dhomë Paragjyqësore e Gjykatës së Shtetit vendosi ta merrte përsipër çështjen nga Gjykata Kantonale e Sarajevës, ku ajo kishte mbetur pezull për vite me radhë, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e saj (çështja kishte të bënte me torturimin e një numri të madh viktimash) dhe ambientet më të mira në dispozicion për mbrojtjen e dëshmitarëve në Gjykatën e Shtetit (rrezik më i lartë i frikësimit të dëshmitarëve në nivel Entiteti). Ajo u mbështet në kriteret e përcaktuara në paragrafin 40 poshtë dhe nenin 449 të Kodit të Procedurës Penale të vitit 2003.
21. Më 26 prill 2006 kërkuesi u arrestua.
22. Më 18 qershor 2007 një Dhomë Gjyqi e Gjykatës së Shtetit e shpalli atë fajtor për tortura si krim lufte dhe e dënoi me njëmbëdhjetë vjet burgim për atë krim sipas nenit 173 § 1 të Kodit Penal të vitit 2003. Një Dhomë Apeli e të njëjtës gjykatë e mbështeti atë vendim më 19 nëntor 2007. Vendimi i shkallës së dytë iu dorëzua kërkuesit më 21 dhjetor 2007.
23. Më 20 shkurt 2008 kërkuesi bëri ankesë kushtetuese. Ajo u rrëzua si e pakohshme (jashtë afatit kohor) më 15 prill 2009.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA RELEVANTE VENDASE DHE MATERIALET RELEVANTE NDËRKOMBËTARE
A. E drejta substanciale e zbatueshme në çështjet e krimeve të luftës
1. Parimet e përgjithshme
24. Në pajtim me pushtetin e emergjencës[8], më 24 janar 2003 Zyra e Përfaqësuesit të Lartë vendosi Kodin Penal të vitit 2003. Ai më pas u dekretua nga Asambleja Parlamentare e Bosnje dhe Hercegovinës[9]. Neni 3 i tij parashikon që një personi nuk mund t’i caktohet asnjë dënim apo sanksion tjetër penal për një akt i cili, në kohën kur është kryer, nuk përbënte vepër penale sipas të drejtës kombëtare apo ndërkombëtare dhe për të cilin ligji nuk parashikonte ndëshkim. Më tej, në pajtim me nenin 4 të atij Kodi, ligji që ka qenë në fuqi në kohën kur është kryer një vepër penale i zbatohet kryesit; megjithatë, nëse ligji ka ndryshuar pas kryerjes së veprës, duhet të zbatohet ligji që është më i butë në raport me kryesin. Në janar 2005, Kodit Penal të vitit 2003 iu shtua neni 4a. Ashtu si neni 7 § 2 i Konventës, ai parashikon që dispozitat e neneve 3 dhe 4 të Kodit Penal nuk duhet të paragjykojnë gjyqin dhe dënimin e asnjë personi për çfarëdo veprimi apo mosveprimi i cili, në kohën kur është kryer, ka qenë penal sipas parimeve të përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
25. Në pajtim me ato parime, gjykatat vendase, në rastet e krimeve të luftës, kanë zbatuar ose Kodin Penal të vitit 1976[10] ose, nëse konsiderohej më i butë ndaj një kryesi të veprës, Kodin Penal të vitit 2003. Meqenëse Kodet e ndërmjetme të Entiteteve (Kodi Penal i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës i vitit 1998[11] dhe Kodi Penal i Republika Srpska i vitit 2000[12]) janë zbatuar shumë rrallë, nëse janë zbatuar, në raste të tilla, ato nuk janë relevante për kërkuesit në fjalë.
2. Kodi Penal i vitit 1976
26. Gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, Kodi Penal i vitit 1976 ka qenë në fuqi në tërë vendin. Ai mbeti në fuqi në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës deri në vitin 1998 dhe në Republika Srpska deri në vitin 2000 (kur ai u përmbys dhe u zëvendësua me Kodet e Entiteteve të përmendura në paragrafin 25 lart). Sipas atij Kodi, krimet e luftës dënoheshin me burgim në afat 5-15 vjet ose, në rastet më të rënda, me dënim me vdekje; gjithashtu, në vend të dënimit me vdekje mund të caktohej burgimi me 20 vjet (shih nenet 37, 38 dhe 142 të tij). Ndihmësit në kryerjen e krimeve të luftës (si Z. Maktouf) do të dënoheshin sikur të kishin kryer vetë krime lufte, por dënimi i tyre po ashtu mund të reduktohej në një vit burg (nenet 24, 42 dhe 43 të atij Kodi). Nenet përkatëse parashikojnë si vijon:
Neni 24 § 1
“Cilido që me dashje ndihmon një tjetër në kryerjen e një vepre penale dënohet sikur ta ketë kryer vetë atë vepër, por dënimi gjithashtu mund të reduktohet.”
Neni 37 § 2
“Dënimi me vdekje mund të caktohet vetëm për veprat më të rënda penale kur parashikohet në këtë mënyrë nga statuti.”
Neni 38 §§ 1 dhe 2
“Dënimi me burg nuk mund të jetë më i shkurtër se 15 ditë apo më i gjatë se 15 vjet.
Gjykata mund të caktojë një dënim me 20 në burg për vepra penale për të cilat mund të jepet dënimi me vdekje.”
Neni 42
“Gjykata mund të caktojë një dënim më të ulët se kufiri i parashikuar me statut, ose mund të vendosë një lloj më të butë dënimi:
(a) kur statuti parashikon që dënimi mund të reduktohet [si në nenin 24 § 1 të këtij Kodi];
(b) kur gjen që ekzistojnë rrethana të tilla lehtësuese të cilat tregojnë se qëllimi i ndëshkimit mund të arrihet me anë të një dënimi më të ulët.”
Neni 43 § 1
“Aty ku ekzistojnë kushtet për reduktimin e dënimit të referuar në nenin 42 të këtij Kodi, gjykata e redukton dënimin brenda kufijve të mëposhtëm:
(a) nëse dënimi minimal për një vepër penale është një periudhë prej tre apo më shumë vitesh burgim, ai mund të reduktohet në burgim prej një viti;
...”
Neni 142 § 1
“Cilido që, në shkelje të rregullave të së drejtës ndërkombëtare në fuqi, në kohë lufte, konflikti të armatosur apo pushtimi, urdhëron ose kryen ... tortura, ... marrje pengjesh, ... dënohet me burgim prej pesë vjet deri në dënim me vdekje.”
27. Dënimi me vdekje nuk mund të caktohej më pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Dejtonit më 14 dhjetor 1995. Në mënyrë të veçantë, sipas Shtojcave 4 dhe 6 të saj, Bosnja dhe Hercegovina dhe Entitetet e saj duhet t’u siguronin të gjithë personave brenda juridiksionit të tyre të drejtat dhe liritë e parashikuara në Konventë dhe Protokollet e saj (përfshirë Protokollin nr. 6 mbi Heqjen e Dënimit me Vdekje) dhe në marrëveshjet e tjera për të drejtat e njeriut të renditura aty (përfshirë Protokollin e Dytë Fakultativ të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike në lidhje me dënimin me vdekje). Autoritetet vendase i kanë kuptuar gjithmonë ato dispozita si të atilla që nënkuptojnë se askush nuk mund të dënohet me vdekje apo të ekzekutohet në kohë paqeje, qoftë edhe për vepra penale të kryera gjatë luftës së viteve 1992-95[13].
3. Kodi Penal i vitit 2003
28. Sipas Kodit Penal të vitit 2003, krimet e luftës dënohen me burg në afat 10-20 vjet ose, në rastet më të rënda, me burgim afatgjatë për 20-45 vjet (nenet 42 dhe 173 të këtij Kodi). Ndihmësit e krimeve të luftës (si Z. Maktouf) dënohen sikur t’i kishin kryer vetë krimet e luftës, por dënimi i tyre po ashtu mund të reduktohet në pesë vjet burgim (shih nenet 31, 49 dhe 50 të atij Kodi). Nenet përkatëse thonë si vijon:
Neni 31 § 1
“Cilido që me dashje ndihmon një tjetër në kryerjen e një vepre penale dënohet sikur ta ketë kryer vetë atë vepër, por dënimi gjithashtu mund të reduktohet.”
Neni 42 §§ 1 dhe 2
“Dënimi me burg nuk mund të jetë më i shkurtër se 30 ditë apo më i gjatë se 20 vjet.
Për veprat më të rënda penale të kryera me qëllim, mund të caktohet përjashtimisht dënimi me 20 deri në 45 vjet burg (burgim afatgjatë).”
Neni 49
“Gjykata mund të caktojë dënimin më poshtë se kufiri i caktuar me statut, ose mund të vendosë një dënim më të butë:
(a) kur statuti parashikon që dënimi mund të reduktohet [si në nenin 31 § 1 të këtij Kodi];
(b) kur gjen që ekzistojnë rrethana të tilla lehtësuese të cilat tregojnë se qëllimi i ndëshkimit mund të arrihet me anë të një dënimi më të ulët.”
Neni 50 § 1
“Aty ku ekzistojnë kushtet për reduktimin e dënimit të referuar në nenin 49 të këtij Kodi, gjykata e redukton dënimin brenda kufijve të mëposhtëm:
(a) nëse dënimi minimal për një vepër penale është dhjetë ose më shumë vjet burg, ai mund të reduktohet në pesë vjet burg;
...”
Neni 173 § 1
“Cilido që, në shkelje të rregullave të së drejtës ndërkombëtare në fuqi, në kohë lufte, konflikti të armatosur apo pushtimi, urdhëron ose kryen ... tortura, ... marrje pengjesh, ... dënohet me burgim minimal prej dhjetë vitesh deri në dënim afatgjatë.”
4. Praktikat e dënimit
29. Gjykatat e Entitetit dhe Gjykata e Shtetit i kanë interpretuar në mënyra të ndryshme parimet e renditura në paragrafin 24 lart në çështjet e krimeve të luftës. Me pak përjashtime[14], gjykatat e Entitetit përgjithësisht zbatojnë Kodin e vitit 1976. Ndryshe prej tyre, Gjykata e Shtetit fillimisht vendosi që Kodi i vitit 2003 ishte gjithmonë më i butë dhe e zbatonte atë Kod në të gjitha çështjet. Megjithatë, në mars të vitit 2009, Gjykata e Shtetit ndërmori një qasje të re sipas së cilës ajo vendoste çështje-për-çështje se cili prej Kodeve ishte më i butë për kryesin[15]. Që nga ajo kohë Gjykata ka zbatuar Kodin e vitit 1976 në çështje më pak të rënda të krimeve të luftës[16]. Në të njëjtën kohë, ajo ka vazhduar të zbatojë Kodin e vitit 2003 në raste më të rënda të krimeve të luftës, të cilat ishin të dënueshme me vdekje sipas Kodit të vitit 1976[17] dhe kurdo që vendoste se Kodi i vitit 2003 ishte më i butë ndaj kryesit për çfarëdo arsye[18]. Duhet cekur se qasja e re ka të bëjë vetëm me dhomën e apelit pranë Gjykatës së Shtetit; dhomat e gjyqit kanë vazhduar të zbatojnë Kodin e vitit 2003 në të gjitha çështjet e krimeve të luftës. Sipas shifrave të ofruara nga Qeveria (shih paragrafin 63 poshtë), dhomat e apelit kanë marrë 21 vendime në çështje të krimeve të luftës mes marsit 2009, kur u zbatua së pari qasja e re, dhe nëntorit 2012. Ato zbatuan Kodin e vitit 1976 në pesë prej këtyre çështjeve dhe Kodin e vitit 2003 në 16 prej tyre. Megjithatë, zbatimi i Kodit të vitit 1976 nga një dhomë apeli nuk çonte gjithmonë drejt reduktimit të dënimit (në dy çështje[19], dhoma e apelit caktoi të njëjtin dënim sipas Kodit të vitit 1976 si dhoma e gjyqit sipas Kodit të vitit 2003; në një çështje[20], dënimi i caktuar nga dhoma e apelit sipas Kodit të vitit 1976 ishte edhe më i rëndë sesa ai i caktuar nga dhoma e gjyqit sipas Kodit të vitit 2003).
5. Vërejtje nga agjenci të tjera ndërkombëtare të të drejtave të njeriut
30. Do të dukej që zbatimi i Kodeve të ndryshme Penale në çështje të krimeve të luftës, siç përshkruhet në paragrafin pararendës, ka krijuar praktika të ndryshme të dënimeve. Sipas një raporti të publikuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në vitin 2008 (“Lëvizja drejt Zbatimit të Harmonizuar të Ligjit të Zbatueshëm në Çështje të Krimeve të Luftës para Gjykatave në Bosnje dhe Hercegovinë”), gjykatat e Entitetit përgjithësisht caktonin dënime më të lehta sesa Gjykata e Shtetit. Pjesa përkatëse e atij raporti thotë si vijon:
“Përdorimi i kodeve të ndryshme penale gjithashtu ka shënuar papajtueshmëri mes dënimeve të shpallura për krime lufte në gjykatat e shtetit dhe të entiteteve. Kjo rrjedh nga variacionet e ndryshme në dënimet e parashikuara me këto kode. Për shembull, një gjykatë entiteti e ka dënuar një të pandehur të shpallur fajtor për trajtim mizor të të burgosurve me një vit e tetë muaj burg pavarësisht se Gjykata e Shtetit e ka dënuar një të pandehur të akuzuar për një vepër të krahasueshme me dhjetë vjet e gjysmë burg. Mesatarisht, dënimet e dhëna nga [Gjykata e Shtetit] në çështjet e krimeve të luftës kanë qenë pothuaj dyfishi i gjatësisë së atyre të dhëna nga gjykatat e entiteteve.”
31. Në një raport të vitit 2011 (“Vënia e Drejtësisë në Bosnje dhe Hercegovinë”, OSBE vendosi që zbatimi i Kodeve Penale të ndryshme në nivelin e Shtetit dhe të Entitetit mund të ishte problematik në raste të çështjeve të caktuara të krimeve të luftës. Në pjesën relevante të atij raporti thuhet:
“Sigurisht, është e pranueshme që çështja se cili kod penal duhet zbatuar në çështjet e krimeve të luftës vlerësohet sipas rastit. Në shumë çështje para gjykatave të entitetit, zbatimi i Kodit [të vitit 1976] nuk përbën problem të madh në praktikë. Në përgjithësi, çështjet në të cilat zbatimi i kodeve të ndryshme minon parimin e barazisë para ligjit janë ato në të cilat gjykata, duke zbatuar Kodin [e vitit 2003], mund t’i japin të akuzuarit një dënim më të lartë sesa dënimi maksimal me 15 apo 20 vjet burg i parashikuar nga Kodi [i vitit 1976]. Në këto raste, zbatimi i Kodit [të vitit 1976] diskutohet se nuk e lejon gjykatën të shpallë një dënim i cili është në proporcion me seriozitetin e krimeve. Po kështu, as dënimet në ato raste nuk janë të harmonizuara me praktikën në nivel të gjykatës së shtetit. Një kategori tjetër çështjesh në të cilat zbatimi i Kodit [të vitit 1976] është problematik përfshin rastet kur sjellja e të akuzuarit thuhet se përmblidhet më së miri brenda konceptit të përgjegjësisë komanduese, çka parashikohet shprehimisht vetëm nga Kodi [i vitit 2003].”
32. Komisioni i OKB për të Drejtat e Njeriut, në “vërejtjet përmbyllëse” të tij mbi Bosnje dhe Hercegovinën vitin 2012 (CCPR/C/BIH/CO/1), shprehu shqetësime të ngjashme (në § 7):
“Ndërkohë që vlerësohen përpjekjet për t’u marrë me çështje të krimeve të luftës siç është zbatimi i Strategjisë Kombëtare për Procesimin e Krimeve të Luftës, Komisioni mbetet i shqetësuar në lidhje me ritmin e ngadaltë të ndjekjeve penale, posaçërisht ato që kanë të bëjnë me dhunën seksuale, si dhe me mungesën e përpjekjeve për harmonizimin e jurisprudencës për krimet e luftës mes entiteteve, dhe që gjykatat në nivel entitetesh përdorin kodin penal arkaik të ish-Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë (RSFJ) i cili, inter alia, nuk përkufizon krimet kundër njerëzimit, përgjegjësinë komanduese, skllavërinë seksuale dhe shtatzaninë e detyruar. Komisioni është i shqetësuar që kjo mund të ndikojë në qëndrueshmërinë e dënimeve mes entiteteve (nenet 2 dhe 14). Pala e Shtetit duhet të përshpejtojë ndjekjen penale të çështjeve të krimeve të luftës. Pala e Shtetit gjithashtu duhet të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e duhur psikologjike për viktimat e dhunës seksuale, posaçërisht gjatë zhvillimit të gjyqeve. Më tej, pala e Shtetit duhet të sigurohet që gjyqësori në të gjitha entitetet e tij i vazhdon fuqimisht përpjekjet për harmonizimin e jurisprudencës për krimet e luftës dhe që akuzat për krime lufte të mos ngrihen sipas kodit penal arkaik të ish-RSFJ, i cili nuk i njeh disa vepra penale të caktuara si krime kundër njerëzimit.”
33. Në Mendimin mbi Sigurinë Ligjore dhe Pavarësinë e Gjyqësorit në Bosnje dhe Hercegovinë (nr. 648/2011), të lëshuar më 18 qershor 2012, Komisioni i Venedikut shënoi që ekzistenca e disa rendeve ligjore dhe fragmentimi i gjyqësorit e bënte të vështirë që Bosnje dhe Hercegovina të përmbushte kërkesat për, inter alia, qëndrueshmëri në legjislacionin dhe praktikën e saj gjyqësore.
B. Gjykata e Shtetit
34. Në përputhje me pushtetin e tij të emergjencës, më 12 nëntor 2000 Zyra e Përfaqësuesit të Lartë vendosi Ligjin për Gjykatën e Shtetit të vitit 2000[21] i cili ngriti Gjykatën e Shtetit. Ligji hyri në fuqi më 8 dhjetor 2000. Më pas mori mbështetjen nga Asambleja Parlamentare e Bosnje dhe Hercegovinës.
35. Si pjesë e strategjisë përmbyllëse të TNPJ përmendur në paragrafin 9 lart, dhomat e krimeve të luftës u ngritën brenda Gjykatës së Shtetit në fillim të vitit 2005. Gjatë një faze tranzitore e cila përfundoi më 31 dhjetor 2012, disa gjyqtarë ndërkombëtarë ishin në përbërje të atyre dhomave. Fillimisht, ata u emëruan nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në përputhje me marrëveshjen e saj të vitit 2004 me autoritetet e Bosnje dhe Hercegovinës[22]. Mandati i atyre gjyqtarëve ishte për dy vjet me mundësi vazhdimi. Një vendim i zakonshëm që emëronte një gjyqtar ndërkombëtar, në pjesën relevante, lexonte si vijon:
“...
Duke shënuar rekomandimin e përbashkët për emërimin e një Gjyqtari Ndërkombëtar më 22 prill 2005 të nënshkruar nga Kancelari i Sekretarisë së Seksionit I për Krime Lufte dhe Seksionit II për Krimin e Organizuar, Krimin Ekonomik dhe Korrupsionin pranë Divizioneve Penale dhe të Apelit të [Gjykatës së Shtetit] dhe [Departamentet Speciale të Prokurorisë së Bosnje dhe Hercegovinës], Kryetari i [Gjykatës së Shtetit] dhe Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnje dhe Hercegovinës;
Përfaqësuesi i Lartë këtu merr vendimin e mëposhtëm mbi emërimin e një Gjyqtari Ndërkombëtar pranë Seksionit I për Krime Lufte në Divizionet Penale dhe të Apelit të [Gjykatës së Shtetit]
1. Siç parashikohet nga seksioni 65 § 4, i ndryshuar, i [Ligjit të vitit 2000 mbi Gjykatën e Shtetit], personi i mëposhtëm emërohet Gjyqtar Ndërkombëtar i Seksionit I për Krime Lufte pranë Divizioneve Penale dhe të Apelit të Gjykatës së Shtetit:
Pietro Spera
2. Mandati fillestar në detyrë ... do të jetë dy vjet, me mundësi vazhdimi në përputhje me [Ligjin për Gjykatën e Shtetit të vitit 2000]. I [emëruari] duhet të qëndrojë me banim në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë mandatit të detyrës së tij dhe nuk mund të kryejë asnjë funksion tjetër që është në papajtueshmëri me shërbimin gjyqësor ose që mund të pengojë kryerjen nga ai të funksioneve gjyqësore me orar të plotë. Në masë të zbatueshme, do të aplikohen të gjitha kërkesat e tjera për shërbimin gjyqësor siç parashikohet nga [Ligji për Gjykatën e Shtetit të vitit 2000]...
3. Kancelari Ndërkombëtar i Sekretarisë së Seksionit I për Krime Lufte dhe Seksionit II për Krimin e Organizuar, Krimin Ekonomik dhe Korrupsionin të Divizioneve Penale dhe të Apelit të [Gjykatës së Shtetit] dhe [Departamentit Special të Prokurorisë] informojnë Përfaqësuesin e Lartë për çdo ngjarje, përfshirë ato që përfshihen ne paragrafin 3 [lart], që mund të shkaktojë pamundësinë e të [emëruarit] për të zhvilluar mandatin e tij. Në rast dorëheqjeje apo pamundësie të të [emëruarit] për të përmbushur mandatin e tij, Përfaqësuesi i Lartë emëron një pasardhës për të përfunduar mandatin e lartpërmendur.
4. Gjatë mandatit në detyrë, i emëruari ndjek të gjitha programet e trajnimit siç udhëzohet nga Kryetari i [Gjykatës së Shtetit] dhe do t’u përmbahet të gjitha standardeve të sjelljes profesionale siç përcaktohet nga [Gjykata e Shtetit].
5. I [emëruari] kryen detyrën e gjyqtarit në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Bosnje dhe Hercegovinës, merr vendime mbi bazën e njohurive të tij më të mira, për të ruajtur me ndërgjegje, me përgjegjësi dhe paanshmëri sundimin e ligjit, dhe mbron liritë dhe të drejtat e individëve të garantuara me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Para se të marrë përsipër detyrën zyrtare, e cila ndodh jo më vonë se data 6 maj 2005, Gjyqtari Ndërkombëtar bën një deklaratë solemne para Kryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnje dhe Hercegovinës për atë qëllim.
6. Ky vendim hyn në fuqi prej këtij momenti dhe do të publikohet menjëherë në Gazetën Zyrtarë të Bosnje dhe Hercegovinës.”
36. Në shtator 2006 Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të Bosnje dhe Hercegovinës rishikoi procedurën për emërimin e gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën e Shtetit[23]: prej atij momenti gjyqtarët ndërkombëtarë u emëruan nga një trupë profesionale e specializuar, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial i Bosnje dhe Hercegovinës, po ashtu për një periudhë prej dy vitesh me mundësi vazhdimi.
C. Juridiksioni për çështjet e krimeve të luftës
37. Çështjet vendore të krimeve të luftës mund të ndahen në dy kategori.
38. Çështjet e vjetra (të raportuara para datës 1 mars 2003) mbeten tek gjykatat e Entitetit nëse aktakuza ka hyrë në fuqi para 1 marsit 2003. Nëse aktakuza nuk ka hyrë në fuqi para 1 marsit 2003, ato mbeten në gjykatat e Entitetit nëse Gjykata e Shtetit nuk vendos të marrë përsipër ndonjë çështje të tillë në përputhje me kriteret e përcaktuara në paragrafin 40 poshtë (shih nenin 449 të Kodit të Procedurës Penale të vitit 2003[24]).
39. Çështjet e reja (të raportuara pas datës 1 mars 2003) hyjnë brenda juridiksionit të Gjykatës së Shtetit, por Gjykata e Shtetit mund t’i transferojë këto çështje tek gjykata kompetente e Entitetit në përputhje me kriteret e përcaktuara në paragrafin 40 poshtë (shih nenin 27 të Kodit të Procedurës Penale të vitit 2003).
40. Në pajtim me Librin e Rregullores së Shqyrtimit të Çështjeve të Krimeve të Luftës të 28 dhjetorit 2004[25] llojet e mëposhtme të çështjeve, si rregull, duhet të dëgjoheshin para Gjykatës së Shtetit: (a) çështjet lidhur me gjenocid, shfarosje, vrasje të shumëfishta, përdhunim dhe sulme të tjera seksuale si pjesë e një sistemi (si në kampe), skllavërimi, tortura, persekutimi në shkallë të gjerë dhe sistematike, burgosja masive me forcë në kampe; (b) çështje kundër komandantëve ushtarakë të mëparshëm apo të tanishëm, udhëheqësve politikë të mëparshëm apo të tanishëm, anëtarëve të mëparshëm apo të tanishëm të gjyqësorit, shefave të mëparshëm apo të tanishëm të policisë, komandantëve të kampeve, personave me reputacion famëkeq në të kaluarën apo në të tashmen, përdhunuesve të shumëfishtë; (c) çështje me të dyshuar apo dëshmitarë të brendshëm; (d) nëse kishte rrezik frikësimi të dëshmitarëve; dhe (e) çështje që përfshinin kryes të veprave penale në një zonë e cila ndiente keqardhje për ta apo ku autoritetet kishin interes personal në parandalimin e shqyrtimit publik të krimeve. Të gjitha çështjet e tjera të krimeve të luftës, si rregull, duhet të dëgjoheshin para gjykatave të Entitetit. Në dhjetor 2008 autoritetet miratuan Strategjinë Kombëtare për Krimet e Luftës, duke vendosur, mes të tjerash, një numër kriteresh të reja. Megjithatë, ato janë pothuaj identike me të lartpërmendurat.
D. Rihapja e një gjyqi penal
41. Neni 327 i Kodit të Procedurës Penale të vitit 2003 parashikon që një gjyq penal mund të rihapet në favor të kryesit të veprës atëherë kur Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka gjetur që gjatë gjyqit janë shkelur të drejtat e njeriut dhe që vendimi është bazuar mbi këto shkelje. Kërkesa për rihapjen e një gjyqi penal nuk ka afate. Ajo mund të paraqitet pas njoftimit të dënimit (neni 329 § 2 i këtij Kodi).
Sipas nenit 333 § 4 të këtij Kodi, në çdo gjyq të ri vendimi nuk mund të modifikohet në dëm të të akuzuarit (ndalimi i reformatio in peius).
E. E drejta humanitare ndërkombëtare
42. Sipas Konventave të Gjenevës të vitit 1949 (shih, për shembull, nenin 146 të Konventës në lidhje me Mbrojtjen e Personave Civilë në Kohë Lufte), Palët e Larta Kontraktuese duhet të miratojnë tërë legjislacionin e nevojshëm për të pasur sanksione penale efektive për personat që kryejnë ose urdhërojnë kryerjen e shkeljeve të rënda të këtyre Konventave. Në të njëjtën kohë, personat e akuzuar duhet gjithsesi të përfitojnë nga garancitë e gjyqit dhe mbrojtjes së duhur të cilat nuk janë më pak të favorshme sesa ato që parashikohen nga Konventa në lidhje me Trajtimin e të Burgosurve të Luftës.
43. Sipas nenit 99 të Konventës lidhur me Trajtimin e të Burgosurve të Luftës, asnjë i burgosur i luftës nuk mund të gjykohet apo të dënohet për një vepër e cila nuk është e ndaluar, në kohën kur është kryer akti në fjalë, nga ligji i Fuqisë Burgosëse ose nga e drejta ndërkombëtare. Rregulla e jo prapaveprueshmërisë së krimeve dhe ndëshkimeve gjithashtu paraqitet në Protokollet Shtesë I dhe II të vitit 1977 pothuaj me fjalë identike. Neni 75 § 4 (c) i Protokollit Shtesë I thotë si vijon:
“Askush nuk akuzohet apo dënohet për vepër penale për arsye të ndonjë veprimi apo mosveprimi i cili nuk ka përbërë vepër penale sipas të drejtës vendase apo ndërkombëtare të cilave u nënshtrohej ai në kohën kur është kryer; as nuk caktohet dënim më i rëndë sesa ai që ka qenë i zbatueshëm në kohën kur është kryer vepra penale; nëse, pas kryerjes së veprës, ligji miraton një dispozitë për caktimin e një dënimi më të lehtë, kryesi do të përfitojë prej saj”.
E DREJTA
I. SHKELJET E PRETENDUARA TË NENIT 6 § 1 TË KONVENTËS
44. Kërkuesi i parë, Z. Maktouf, u ankua që atij nuk i ishte dhënë një gjyq i drejtë nga një tribunal i pavarur, në shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës. Ai parashtroi që tribunali gjykues nuk kishte qenë i pavarur brenda kuptimit të asaj dispozite, kryesisht për shkak se dy prej anëtarëve të tij ishin emëruar nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë për një periudhë prej dy vitesh me mundësi vazhdimi. Neni 6 § 1, në pjesën relevante, lexon:
“Çdo person ka të drejtë që çështja e tij ... të dëgjohet ... drejtësisht ... nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj ... e cila do të vendosë për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij.”
A. Parashtrimet e palëve
1. Qeveria
45. Qeveria u shpreh që Bosnje dhe Hercegovina nuk mund të mbahej përgjegjëse për sjelljen e Përfaqësuesit të Lartë (ajo u mbështet në çështjen Berić dhe të Tjerë kundër Bosnje dhe Hercegovinës (dec.), numrat 36357/04 et al., ECHR 2007‑XII). Prandaj, ajo ftoi Gjykatën ta deklaronte këtë ankesë të papranueshme si e papajtueshme me ratione personae. Edhe nëse Gjykata kishte juridiksion ratione personae për t’u marrë me këtë ankesë, Qeveria parashtroi që ajo ishte dukshëm e pabazuar. Konventa nuk kërkon që gjyqtarët të emërohen për tërë jetën e tyre, siç ilustrohet nga Sramek kundër Austrisë, 22 tetor 1984, Seria A nr. 84, ku Gjykata e pa emërimin për periudhën tre vjet me mundësi vazhdimi si të mjaftueshëm. Për më tepër, anëtarët ndërkombëtarë të Gjykatës së Shtetit ishin emëruar si gjyqtarë në vendet e tyre të origjinës nga organe të pavarura dhe ishin deleguar në Gjykatën e Shtetit si instrument i ndihmës ndërkombëtare në Bosnje dhe Hercegovinën e shkatërruar nga lufta.
2. Kërkuesi
46. Kërkuesi u përgjigj që Bosnje dhe Hercegovina kishte për detyrë ta organizonte sistemin e saj ligjor në mënyrë të atillë që të siguronte pavarësinë e gjyqësorit. Ai parashtroi që kohëzgjatja e shkurtër e mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë (dy vjet) me mundësi ri-emërimi hidhte dyshime serioze rreth aftësisë së tyre për të marrë vendime në mënyrë të pavarur. Ai shtoi, pa u mbështetur në asnjë autoritet në veçanti, që sipas kritereve të miratuara, mandatet për më pak se gjashtë vjet nuk ishin të mjaftueshme si garanci e pavarësisë së gjyqtarëve. Më tej, gjyqtarët ndërkombëtarë të Gjykatës së Shtetit, në kohën përkatëse, emëroheshin nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë, e cila mund të krahasohej me një qeveri nacionale. Duke pasur parasysh këto, kërkuesi arriti në përfundimin që tribunali gjykues nuk kishte qenë i pavarur brenda kuptimit të nenit 6 § 1 të Konventës.
3. Pala e tretë
47. Zyra e Përfaqësuesit të Lartë, në parashtrimet e saj të palëve të treta në nëntor 2012, konstatoi që prania e gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën e Shtetit kishte pasur për qëllim promovimin e pavarësisë dhe paanshmërisë, si dhe bartjen e njohurive ligjore të kërkuara. Gjithashtu, ajo parashtroi që vendimet e saj mbi emërimet e gjyqtarëve ndërkombëtarë kishin qenë një formalitet, për shkak të faktit që asnjë autoritet vendas nuk kishte pasur pushtet të emëronte jo-shtetas para fundit të vitit 2006 (shih paragrafin 36 lart). Për sa i përket kohëzgjatjes së mandatit të tyre, Zyra e Përfaqësuesit të Lartë diskutoi që ajo kishte qenë për shkak të kufizimeve në financimin e riemërimit të zyrtarëve të huaj gjyqësorë: me fjalë të tjera, projektimet dhe kufizimet buxhetore nuk kishin lejuar garanci fondesh për një periudhë më të gjatë. Së fundi, pala e tretë deklaroi që kushtet e punës së gjyqtarëve ndërkombëtarë ishin rregulluar si duhet dhe që ata nuk kanë mundur të shkarkoheshin në mënyrë arbitrare.
B. Vlerësimi i Gjykatës
48. Gjykata vëren që nga fillimi që ngritja e dhomave të krimeve të luftës brenda Gjykatës së Shtetit të përbëra nga gjyqtarë ndërkombëtarë dhe vendas ishte iniciativë e institucioneve ndërkombëtare (shih paragrafin 9 lart). Megjithatë, në rastin konkret nuk kërkohet të vendoset nëse Qeveria në fjalë do të mund të mbahej sidoqoftë përgjegjëse për shkeljen e pretenduar të nenit 6 § 1 të Konventës, meqenëse ajo gjen që kjo ankesë është gjithsesi dukshëm e pabazuar për arsyet e shënuara më poshtë.
49. Si vërejtje e përgjithshme, Gjykata përsërit që, gjatë konstatimit në çështjet e mëparshme të faktit nëse një organ mund të konsiderohej si “i pavarur” – kryesisht për ekzekutivin dhe për palët e çështjes – ajo merr parasysh faktorë të tillë si mënyra e emërimit të anëtarëve të tij, kohëzgjatja e mandatit të tyre, ekzistenca e garancive kundër presioneve të jashtme dhe çështja nëse organi paraqet një imazh të pavarësisë (shih, për shembull, Campbell dhe Fell kundër Mbretërisë së Bashkuar, 28 qershor 1984, § 78, Seria A nr. 80, dhe Brudnicka dhe të Tjerë kundër Polonisë, nr. 54723/00, § 38, ECHR 2005‑II). Pashkarkueshmëria e gjyqtarëve nga ekzekutivi gjatë mandatit të tyre në detyrë në përgjithësi konsiderohet si tipar që buron nga pavarësia e tyre dhe kështu është e përfshirë në garancitë e nenit 6 § 1 (shih Campbell dhe Fell, cituar lart, § 80). Megjithëse nocioni i ndarjes së pushteteve mes organeve politike të qeverisë dhe gjyqësorit ka marrë rëndësi gjithmonë e më të madhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës (shih Stafford kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 46295/99, § 78, ECHR 2002-IV), emërimi i gjyqtarëve nga ekzekutivi apo nga legjislativi është i lejuar, me kusht që të emëruarit të jenë jashtë ndikimit apo presionit gjatë kryerjes së detyrës së tyre gjykuese (shih Flux kundër Moldavisë (nr. 2), nr. 31001/03, § 27, 3 korrik 2007).
50. Duke iu rikthyer çështjes në fjalë, Gjykata shënon që pavarësia e anëtarit vendas të tribunalit gjykues nuk është kontestuar. Për sa u përket anëtarëve ndërkombëtarë të saj, nuk ka arsye për të dyshuar në pavarësinë e tyre nga organet politike të Bosnje dhe Hercegovinës dhe palëve në çështje. Emërimi i tyre vërtet është motivuar nga dëshira, inter alia, për të fuqizuar paraqitjen e pavarësisë së dhomave të krimeve të luftës të Gjykatës së Shtetit (duke pasur parasysh njëanshmëritë dhe antipatitë etnike në radhët e popullsisë së gjerë në periudhën e pas-luftës) dhe për të rikthyer besimin publik tek sistemi gjyqësor vendas.
51. Megjithëse ata u emëruan nga Përfaqësuesi i Lartë, Gjykata nuk gjen arsye për të vënë në dyshim nëse anëtarët ndërkombëtarë të Gjykatës së Shtetit kanë qenë të pavarur nga ai institucion. Emërimet e tyre u bënë mbi bazën e rekomandimeve nga figurat më të larta gjyqësore në Bosnje dhe Hercegovinë (shih vendimin e cituar në paragrafin 35 lart). Ashtu si anëtarët vendas pavarësia e të cilëve nuk u kontestua, pas emërimit, gjyqtarët në fjalë duhet të bënin një betim solemn para Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnje dhe Hercegovinës dhe u kërkohej që të kryenin detyrat e tyre në përputhje me të drejtën e vendit dhe të respektonin rregullat e sjelljes profesionale të vendosura nga Gjykata e Shtetit. Në mënyrë të ngjashme, të gjitha këto kërkesa për punën në gjyqësor siç parashikohen nga Ligji për Gjykatën e Shtetit i vitit 2000 ishin të zbatueshme për ta (shih paragrafin 35 lart). Fakti që gjyqtarët në fjalë ishin deleguar nga mesi i gjyqtarëve profesionalë në vendet e tyre përkatëse përfaqësonte një garanci shtesë kundrejt presionit të jashtëm. Duhet pranuar që mandati i tyre ishte relativisht i shkurtër, por kjo është e kuptueshme duke pasur parasysh natyrën e përkohshme të pranisë ndërkombëtare në Gjykatën e Shtetit dhe mekanikën e delegimeve ndërkombëtare.
52. Në këto rrethana, Gjykata nuk sheh asnjë arsye për të vënë në pyetje gjetjen e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës në këtë çështje që Gjykata e Shtetit ka qenë e pavarur brenda kuptimit të nenit 6 § 1 të Konventës (shih paragrafin 15 lart; bëj dallimin me Henryk Urban dhe Ryszard Urban kundër Polonisë, nr. 23614/08, §§ 45-53, 30 nëntor 2010).
53. Rrjedhimisht, kjo ankesë është dukshëm e pabazuar dhe duhet të refuzohet në përputhje me nenin 35 §§ 3 (a) dhe 4 të Konventës.
II. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 7 TË KONVENTËS
54. Të dy kërkuesit u ankuan sipas nenit 7 të Konventës që atyre u ishte zbatuar një kod penal më i rreptë sesa ai që kishte qenë i zbatueshëm në kohën kur ata i kanë kryer veprat penale. Neni 7 parashikon:
“1. Askush nuk mund të dënohet për një veprim ose një mosveprim që, në momentin kur është kryer, nuk përbënte vepër penale sipas të drejtës së brendshme ose ndërkombëtare. Po ashtu, nuk mund të jepet një dënim më i rëndë se ai që ishte i zbatueshëm në momentin kur është kryer vepra penale.
2. Ky nen nuk do të ndikojë mbi vendimin dhe dënimin e një personi për një veprim ose mosveprim, i cili, në momentin kur është kryer, quhej vepër penale sipas parimeve të përgjithshme të së drejtës, të njohura nga kombet e qytetëruara.”
A. Vërejtje hyrëse
55. Shkeljet e rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare që hyjnë brenda juridiksionit të Gjykatës së Shtetit mund të ndahen në dy kategori. Disa krime, më saktë krimet kundër njerëzimit, janë futur duke u bërë pjesë e ligjit vendas në vitin 2003. Gjykata e Shtetit dhe gjykatat e Entitetit pra nuk kanë zgjedhje tjetër përveç zbatimit të Kodit Penal të vitit 2003 në raste të tilla (shih materialet ndërkombëtare të cituara në paragrafët 31 dhe 32 lart). Në këtë aspekt, Gjykata përsërit që në çështjen Šimšić kundër Bosnje dhe Hercegovinës (dec.), nr. 51552/10, 10 prill 2012, kërkuesi u ankua në lidhje me dënimin e tij në vitin 2007 për krime kundër njerëzimit për arsye të veprimeve që kishin ndodhur në vitin 1992. Gjykata e shqyrtoi atë çështje, inter alia, nën dritën e nenit 7 të Konventës dhe e shpalli atë dukshëm të pabazuar. Ajo e konsideroi faktin që krimet kundër njerëzimit nuk kishin qenë vepra penale sipas të drejtës vendase gjatë luftës së viteve 1992-95 jo relevant, meqenëse ato qartazi përbënin vepër penale sipas të drejtës ndërkombëtare në atë kohë. Ndryshe nga ky rast, krimet e luftës të kryera nga kërkuesit e tanishëm përbënin vepra penale sipas të drejtës vendase në kohën kur u kryen. Kështu, çështja në fjalë ngre diskutime krejtësisht të ndryshme nga ato në rastin Šimšić.
B. Pranueshmëria
56. Qeveria diskutoi që ankesa e Z. Damjanović’s duhet të rrëzohet për shkak të mos-paraqitjes nga ai të një ankese kushtetuese në kohë. Ata nuk kishin kundërshtime për sa i përket pranueshmërisë së ankesës së Z. Maktouf.
57. Z. Damjanović pretendoi që një ankesë kushtetuese nuk ishte mjet efektiv zgjidhjeje në lidhje me ankesën e tij, sepse ajo nuk ofronte perspektive të arsyeshme suksesi (ai u mbështet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese në çështjen Maktouf, ku nuk u gjet shkelje e nenit 7, dhe shumë çështje të tjera të mëvonshme në të cilat ishte zbatuar i njëjti arsyetim).
58. Gjykata përsërit që rregulla e shterimit të zgjidhjeve në vend e përmendur në nenin 35 § 1 të Konventës kërkon që kërkuesit së pari të shfrytëzojnë zgjidhjet në vend, duke i kursyer Shtetet nga dhënia e llogarisë para Gjykatës Evropiane për veprimet e tyre para se të kishin mundësi t’i kalonin çështjet përmes sistemit të vet ligjor. Rregulla bazohet në supozimin që sistemi vendas ofron zgjidhje efektive për shkeljen e pretenduar. Barra e provës i bie Qeverisë që pretendon mos-shterimin për të bindur Gjykatën që zgjidhja efektive ishte në dispozicion në teori dhe në praktikë në kohën përkatëse; me fjalë të tjera, zgjidhja ka qenë në dispozicion dhe ka pasur mundësi të ofronte korrigjim efektiv dhe të mjaftueshëm në lidhje me ankesat e kërkuesit. Megjithatë, pasi të jetë përmbushur kjo barrë e provës, i takon kërkuesit që të konstatojë nëse është shteruar faktikisht zgjidhja e ofruar nga Qeveria apo nëse ajo ka qenë, për çfarëdo arsyeje, e pamjaftueshme dhe jo-efektive në rrethanat e caktuara të çështjes, ose që kanë ekzistuar rrethana të veçanta që e çlironin atë nga kjo kërkesë (shih, mes autoriteteve të tjera, Akdivar dhe të Tjerë kundër Turqisë, 16 shtator 1996, §§ 65-69, Përmbledhje e Vendimeve 1996‑IV; Mirazović kundër Bosnje dhe Hercegovinës (dec.), nr. 13628/03, 6 maj 2006; dhe Scoppola kundër Italisë (nr. 2) [GC], nr. 10249/03, §§ 68-71, 17 shtator 2009).
59. Gjykata shënon që më 30 mars 2007 Gjykata Kushtetuese e Bosnje dhe Hercegovinës nuk gjeti shkelje të nenit 7 të Konventës në rrethana pothuaj identike në çështjen Maktouf, dhe që nga ajo kohë ka zbatuar të njëjtin arsyetim në shumë çështje. Në fakt, Qeveria nuk ka paraqitur para Gjykatës asnjë vendim të Gjykatës Kushtetuese që gjente shkelje të nenit 7 në një çështje të ngjashme. Më tej, Gjykata e Shtetit, në çështjen Damjanović iu referua vendimit të Gjykatës Kushtetuese në çështjen Maktouf.
60. Gjykata del me përfundimin që një apel kushtetues nuk ka ofruar perspektivë të arsyeshme për sukses për ankesën e Z. Damjanović sipas nenit 7 të Konventës dhe e rrëzon kundërshtimin e Qeverisë. Meqenëse kjo ankesë nuk është dukshëm e pabazuar brenda kuptimit të nenit 35 § 3 (a) të Konventës dhe nuk është e papranueshme mbi ndonjë bazë tjetër, ajo duhet të deklarohet e pranueshme.
C. Themelet
1. Parashtrimet e palëve
(a) Kërkuesit
61. Ndalimi i zbatimit prapaveprues të së drejtës penale në disavantazh të të akuzuarit ishte, sipas kërkuesve, një rregullë e vendosur e së drejtës ndërkombëtare dhe vendase. Atëherë Kodi Penal i vitit 2003, duke qenë më i rreptë sesa Kodi i vitit 1976 për sa i përket dënimit minimal për krime lufte, nuk duhet të ishte zbatuar në çështjet e tyre. Në këtë aspekt, ata iu referuan numrit të vogël të çështjeve në të cilat Gjykata e Shtetit e kishte konsideruar Kodin e vitit 1976 si më të butë (shih paragrafin 29 lart), duke kritikuar njëkohësisht Gjykatën e Shtetit për mos-zbatimin e atij Kodi në mënyrë të vazhdueshme. Meqenëse dënimet e tyre bazoheshin ekskluzivisht vetëm mbi të drejtën vendase, ata parashtruan se mbështetja e Qeverisë tek “parimet e përgjithshme të së drejtës të njohura nga kombet e civilizuara” brenda kuptimit të nenit 7 § 2 ishte çorientuese. Më tej ata parashtruan që çështja e tyre duhet të dallohej nga çështjet të cilave u ishin referuar Qeveria dhe pala e tretë (pra çështja S.W. kundër Mbretërisë së Bashkuar, 22 nëntor 1995, Seria A nr. 335‑B, dhe Streletz, Kessler dhe Krenz kundër Gjermanisë [GC], nr. 34044/96, nr. 35532/97 dhe nr. 44801/98, ECHR 2001‑II). Në mënyrë të veçantë, çështja S.W. kishte të bënte me zhvillimin gradual të së drejtës penale përmes një linje praktikash gjyqësore, përgjatë disa viteve, në mënyrë që të merreshin parasysh qëndrimet në ndryshim e sipër të shoqërisë. Kjo ndryshonte qartazi nga zbatimi i legjislacionit të ri që parashikonte ndëshkime më të rënda për disa vepra penale, si në rastin konkret. Kërkuesit shtuan se Shtetet nuk duhet t’i ndryshonin ligjet e tyre pas një ngjarjeje me qëllim që të dënoheshin kryesit, pavarësisht se sa e diskutueshme mund të jetë vepra në fjalë.
(b) Qeveria
62. Qeveria u shpreh se Kodi Penal i vitit 2003 ishte më i butë ndaj kërkuesve sesa Kodi Penal i vitit 1976, duke pasur parasysh mungesën e dënimit me vdekje (ajo iu referua çështjes Karmo kundër Bullgarisë (dec.), nr. 76965/01, 9 shkurt 2006). Ai ishte në fakt opinioni i Gjykatës Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës në rastin konkret (shih paragrafin 15 lart). Më tej ajo diskutoi që edhe sikur Kodi i vitit 2003 të mos ishte më i butë ndaj kërkuesve, ende justifikohej zbatimi i tij në këtë rast, për arsyet në vijim. Së pari, Qeveria pretendoi se neni 7 § 2 i Konventës parashikonte një përjashtim nga rregulla e jo prapaveprueshmërisë së krimeve dhe ndëshkimeve e përcaktuar në nenin 7 § 1 (ajo iu referua çështjes Naletilić kundër Kroacisë (dec.), nr. 51891/99, ECHR 2000‑V). Me fjalë të tjera, nëse një veprim ishte penal në kohën kur është kryer edhe sipas “parimeve të përgjithshme të së drejtës të njohura nga kombet e civilizuara” edhe sipas të drejtës vendase, atëherë mund të caktohej një dënim edhe më i rëndë sesa ai që ishte i zbatueshëm sipas të drejtës vendase. Ishte e qartë se aktet e kryera nga kërkuesit në fjalë ishin kriminale sipas “parimeve të përgjithshme të së drejtës të njohura nga kombet e civilizuara”. Si rezultat, rregulla e jo prapaveprueshmërisë së ndëshkimeve nuk zbatohej dhe, sipas mendimit të Qeverisë, kërkuesve mund t’u jepej çdo lloj dënimi. Së dyti, Qeveria parashtroi që interesat e drejtësisë kërkonin që parimi i jo prapaveprueshmërisë të lihej mënjanë në këtë rast (këtu ajo iu referua çështjes S.W., cituar lart; çështjes Streletz, Kessler dhe Krenz, cituar lart; dhe një detyrimi sipas të drejtës humanitare ndërkombëtare për të dënuar krimet e luftës në mënyrë të përshtatshme). Rreptësia e parimit të jo prapaveprueshmërisë, u argumentua, duhet të zbutej në situata të caktuara historike në mënyrë që ky parim të mos ishte në dëm të parimit të paanësisë.
63. Për sa i përket çështjes nëse Gjykata e Shtetit e ka ndryshuar praktikën e saj të dënimeve në çështjet e krimeve të luftës, Qeveria pranoi që Kodi i vitit 1976 është zbatuar në disa raste që nga marsi 2009 (shih paragrafin 29 lart). Megjithatë, ajo diskutoi që Kodi i vitit 2003 ende zbatohej në shumicën e çështjeve. Më saktësisht, Gjykata e Shtetit ka lëshuar 102 vendime mes marsit 2009 dhe nëntorit 2012 (59 nga dhomat e gjyqit dhe 43 nga dhomat e apelit). Dhomat e gjyqit kishin zbatuar gjithmonë Kodin e vitit 2003. Dhomat e apelit e kishin zbatuar atë Kod në të gjitha çështjet në lidhje me krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Për sa u përket krimeve të luftës, dhomat e apelit kishin zbatuar Kodin e vitit 1976 në pesë çështje dhe Kodin e vitit 2003 në 16 çështje. Qeveria kritikoi qasjen e ndërmarrë në ato pesë rastet e para dhe deklaroi që Gjykata e Shtetit duhet të kishte zbatuar gjithmonë Kodin e vitit 2003 në çështjet e krimeve të luftës.
(c) Pala e tretë
64. Parashtrimet e palës së tretë nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në nëntorit 2012 ishin në të njëjtat linja si ato të Qeverisë. Vlen të shënohet që, ashtu si Qeveria, pala e tretë pretendoi që veprat e kryera nga kërkuesit në fjalë ishin penale sipas “parimeve të përgjithshme të së drejtës të njohura nga kombet e civilizuara” dhe prandaj rregulla e jo prapaveprueshmërisë së ndëshkimeve nuk zbatohej në këtë rast. Zyra e Përfaqësuesit të Lartë gjithashtu theksoi që megjithëse në këtë rast ishte zbatuar Kodi i vitit 2003, dënimet e kërkuesve ishin sidoqoftë edhe brenda kuadrit të Kodit të vitit 1976 edhe brenda kuadrit të Kodit të vitit 2003. Së fundi, pala e tretë iu referua “vërejtjeve përmbyllëse” të Komisionit të OKB për të Drejtat e Njeriut mbi Bosnje dhe Hercegovinën (CCPR/C/BIH/CO/1), cituar në paragrafin 32 lart.
2. Vlerësimi i Gjykatës
65. Fillimisht, Gjykata përsërit që nuk është detyrë e saj të shqyrtojë in abstracto nëse zbatimi prapaveprues i Kodit të vitit 2003 në çështjet e krimeve të luftës është, per se, në papajtueshmëri me nenin 7 të Konventës. Kjo çështje duhet të vlerësohet sipas rastit, duke marrë parasysh rrethanat e veçanta të secilit rast dhe, kryesisht, nëse gjykatat vendase kanë zbatuar ligjin dispozitat e të cilit kanë qenë më të favorshme ndaj të pandehurit (shih Scoppola, cituar lart, § 109).
66. Parimet e përgjithshme në lidhje me nenin 7 i ritheksuan kohët e fundit në çështjen Kononov kundër Latvias [GC], nr. 36376/04, § 185, KEDNJ 2010:
“Garancia e mishëruar në nenin 7, një element thelbësor i sundimit të ligjit, zë një vend të rëndësishëm në sistemin e mbrojtjes së Konventës, siç nënvizohet nga fakti që derogimi prej saj nuk lejohet nga neni 15 në kohë lufte apo emergjence tjetër publike. Ajo duhet të kuptohet dhe të zbatohet, siç del nga objekti dhe qëllimi i saj, në mënyrë të atillë që të ofrojë mbrojtje efektive nga ndjekja penale arbitrare, dënimi dhe ndëshkimi. Rrjedhimisht, neni 7 nuk kufizohet me ndalimin e zbatimit prapaveprues të së drejtës penale në disavantazh të të akuzuarit: ai njëkohësisht ngërthen, më përgjithësisht, parimin që vetëm ligji mund të përkufizojë një krim dhe të parashikojë një dënim (nullum crimen, nulla poena sine lege) dhe parimin që e drejta penale nuk duhet të kuptohet në dëm të të akuzuarit, për shembull përmes analogjisë. Rrjedh që një vepër penale duhet të përkufizohet qartë në ligj. Kjo kërkesë përmbushet kur individi mund ta dijë nga teksti i dispozitës përkatëse – dhe, nëse është e nevojshme, me ndihmën e interpretimit të saj nga gjykata dhe me ndihmë të informuar ligjore – se cilat veprime dhe mosveprime e bëjnë atë penalisht përgjegjës.
Kur flitet për ‘ligjin’, neni 7 aludon për të njëjtin koncept të cilit Konventa i referohet diku tjetër kur përdor atë term, një koncept i cili përfshin të drejtën e shkruar dhe të pashkruar dhe i cili nënkupton kërkesa cilësore, kryesisht ato të qasshmërisë dhe parashikueshmërisë. Për sa i përket sidomos parashikueshmërisë, Gjykata kujton se, sado qartë që të mund të hartohet një dispozitë ligjore në çdo sistem ligjor përfshirë edhe të drejtën penale, ekziston një element i pashmangshëm i interpretimit gjyqësor. Gjithmonë do të ketë nevojë për ndriçimin e pikave të dyshimta dhe përshtatjen me rrethanat që ndryshojnë. Në fakt, në disa Shtete të Konventës, zhvillimi progresiv i të drejtës penale përmes ligjbërjes gjyqësore është pjesë e rrënjosur dhe e nevojshme e traditës ligjore. Neni 7 i Konventës nuk mund të lexohet si i atillë që nxjerr jashtë ligjit qartësimin gradual të rregullave të përgjegjësisë penale përmes interpretimit gjyqësor sipas secilës çështje, nëse zhvillimi rezultues nuk është në përputhje me thelbin e veprës dhe nuk mund të parashikohet në masë të arsyeshme (Streletz, Kessler dhe Krenz kundër Gjermanisë [GC], nr. 34044/96, nr. 35532/97 dhe nr. 44801/98, § 50, ECHR 2001‑II; K.‑H.W. kundër Gjermanisë [GC], nr. 37201/97, § 85, ECHR 2001‑II (pjesë të shkëputura); Jorgic kundër Gjermanisë, nr. 74613/01, §§ 101-109, 12 korrik 2007; dhe Korbely kundër Hungarisë [GC], nr. 9174/02, §§ 69-71, 19 shtator 2008).”
67. Duke iu kthyer rastit në fjalë, Gjykata shënon që përkufizimi i krimeve të luftës është i njëjtë si në nenin 142 § 1 të Kodit Penal të vitit 1976, i cili ka qenë i zbatueshëm në kohën kur janë kryer veprat, ashtu edhe në nenin 173 § 1 të Kodit Penal të vitit 2003, i cili u zbatua në mënyrë prapavepruese në këtë rast (shih paragrafët 26 dhe 28 lart). Për më tepër, kërkuesit nuk e kontestuan që aktet e tyre përbënin vepra penale të përkufizuara me qasshmëri dhe parashikueshmëri të mjaftueshme në kohën kur u kryen. Prandaj ligjshmëria e dënimeve të kërkuesve nuk është problem në rastin konkret.
68. Megjithatë, shënohet më tej që dy Kodet Penale parashikojnë korniza të ndryshme të dënimeve në lidhje me krimet e luftës. Sipas Kodit të vitit 1976, krimet e luftës ishin të dënueshme me 5-15 vjet burg, për rastet më të rënda, dënimi me vdekje (shih nenin 142 § 1 në lidhje me nenet 37 § 2 dhe 38 § 1 të Kodit të vitit 1976). Në vend të dënimit me vdekje mund të caktohej edhe dënimi me 20 vjet burg (shih nenin 38 § 2 të tij). Dhënësit e ndihmës në krime lufte, si Z. Maktouf, dënoheshin sikur t’i kishin kryer vetë krimet, por dënimi i tyre mund të reduktohej në një vit burg (shih nenin 42 të të njëjtit Kod në lidhje me nenet 24 § 1 dhe 43 § 1 të tij). Sipas Kodit të vitit 2003, krimet e luftës dënohen me 10-20 vjet burg ose, në rastet më të rënda, me burgim afatgjatë për 20-45 vjet (shih nenin 173 § 1 të Kodit të vitit 2003 në lidhje me nenin 42 §§ 1 dhe 2 të atij Kodi). Dhënësit e ndihmës në krime lufte, si Z. Maktouf, dënoheshin sikur t’i kishin kryer vetë krimet, por dënimi i tyre mund të reduktohej në pesë vjet burg (neni 49 në lidhje me nenet 31 § 1 dhe 50 § 1 të atij Kodi). Ndërkohë që thekson se ky dënim duhet të reduktohej sa më shumë që të ishte e mundur (shih paragrafin 14 lart), Gjykata e Shtetit e dënoi Z. Maktouf me pesë vjet burg, dënimi më i ulët i mundshëm sipas Kodit të vitit 2003. Nga ana tjetër, sipas Kodit të vitit 1976, ai mund të ishte dënuar me një vit burg. Për sa i përket Z. Damjanović, ai u dënua me 11 vjet burg, pak më shumë se minimumi prej dhjetë vjetësh. Sipas Kodit të vitit 1976, do të kishte qenë e mundur të caktohej dënimi prej vetëm pesë vjetësh.
69. Për sa i përket argumentit të Qeverisë që Kodi i vitit 2003 ishte më i butë ndaj kërkuesve sesa Kodi i vitit 1976, duke pasur parasysh dënimin me vdekje, Gjykata vëren se vetëm rastet më të rënda të krimeve të luftës ndëshkoheshin me dënim me vdekje sipas Kodit të vitit 1976 (shih paragrafin 26 lart). Meqenëse asnjëri prej kërkuesve nuk u mbajt përgjegjës për humbje të jetës, krimet për të cilat ata u dënuan ishte e qartë se nuk i përkisnin asaj kategorie. Në fakt, siç u vërejt më lart, Z. Maktouf mori dënimin më të ulët të parashikuar me ligj, dhe Z. Damjanović mori një dënim i cili ishte vetëm pak mbi nivelin më të ulët të caktuar nga Kodi i vitit 2003 për krime lufte. Në këto rrethana, është posaçërisht relevante në rastin konkret se cili Kod ka qenë më i butë në lidhje me dënimin minimal, dhe ky ishte pa dyshim Kodi i vitit 1976. Një qasje e tillë është ndërmarrë në të paktën disa prej dhomave të apelit në Gjykatën e Shtetit në çështje të kohëve të fundit (shih paragrafin 29 lart).
70. Pra, dënimet e kërkuesve në rastin konkret ishin brenda kuadrit të Kodit Penal të vitit 1976 dhe të Kodit Penal të vitit 2003. Kështu nuk mund të thuhet me asnjë siguri që cilido prej kërkuesve do të kishte marrë dënime më të ulëta po të ishte zbatuar Kodi i mëparshëm (bëj kontrastin me Jamil kundër Francës, 8 qershor 1995, Seria A nr. 317‑B; Gabarri Moreno kundër Spanjës, nr. 68066/01, 22 korrik 2003; Scoppola, cituar lart). Megjithatë, ajo që është thelbësore është se kërkuesit mund të kishin marrë dënime më të ulëta po të ishte zbatuar ai Kod në çështjet e tyre. Siç është parë në paragrafin 68 lart, Gjykata e Shtetit deklaroi, kur caktoi dënimin e Z. Maktouf, që ai duhet të reduktohej në nivelin më të ulët të lejueshëm nga Kodi i vitit 2003. Në mënyrë të ngjashme, Z. Damjanović mori një dënim që ishte afër nivelit minimal. Më tej duhet të shënohet që, sipas qasjes së ndërmarrë në disa prej çështjeve të krimeve të luftës kohët e fundit së cilës i referohet paragrafi 29 lart, dhomat e apelit të Gjykatës së Shtetit kishin zgjedhur Kodin e vitit 1976 në vend të Kodit të vitit 2003, posaçërisht me qëllim që të zbatonin rregullat e dënimit më të butë. Rrjedhimisht, meqenëse ekziston një mundësi reale që zbatimi prapaveprues i Kodit të vitit 2003 ishte në disavantazh të kërkuesve për sa i përket dënimit, nuk mund të thuhet që atyre u është ofruar mbrojtja efektive kundër caktimit të një dënimi më të rëndë, në shkelje të nenit 7 të Konventës.
71. Gjykata e ka të pamundur ta pranojë sugjerimin e Qeverisë që vendimi i saj në çështjen Karmo, cituar lart, ofron orientim për vlerësimin e saj të çështjes në diskutim. Rrethanat ndryshojnë në mënyrë domethënëse. Ndërkohë që kërkuesit e tanishëm janë dënuar me afate relativisht të shkurtra burgimi, kërkuesi në Karmo ishte dënuar me vdekje dhe çështja ishte nëse ishte në kundërshtim me nenin 7 ndërrimi i dënimit me vdekje me burgimin e përjetshëm pas heqjes së dënimit me vdekje në vitin 1998. Gjykata konsideroi që nuk ishte, dhe e refuzoi ankesën sipas nenit 7 si dukshëm e pabazuar.
72. Më tej, Gjykata e ka të pamundur të pajtohet me argumentin e Qeverisë që nëse një akt ka qenë kriminal sipas “parimeve të përgjithshme të së drejtës të njohura nga kombet e civilizuara” brenda kuptimit të nenit 7 § 2 të Konventës në kohën kur është kryer atëherë rregulla e jo prapaveprueshmërisë së krimeve dhe ndëshkimeve nuk ishte e zbatueshme. Ky argument është në papajtueshmëri me travaux préparatoires të cilat nënkuptojnë që neni 7 § 1 mund të konsiderohet se përmban rregullën e përgjithshme të jo prapaveprueshmërisë dhe që neni 7 § 2 është vetëm një qartësim kontekstual i pjesës së përgjegjësisë në atë rregullë, i përfshirë për t’u siguruar që nuk ka pasur dyshime lidhur me vlefshmërinë e ndjekjeve penale pas Luftës së Dytë Botërore në lidhje me krimet e kryera gjatë asaj lufte (shih Kononov, cituar lart, § 186). Kështu, është e qartë se hartuesit e Konventës nuk kanë pasur për qëllim të lejonin ndonjë përjashtim të përgjithshëm nga rregulla e jo prapaveprueshmërisë. Në fakt, Gjykata është shprehur në disa çështje që dy paragrafët e nenit 7 janë të ndërlidhur dhe duhet të interpretohen në mënyrë të harmonishme (shih, për shembull, Tess kundër Latvias (dec.), nr. 34854/02, 12 dhjetor 2002, dhe Kononov, cituar lart, § 186).
73. Mbështetja e Qeverisë në këtë aspekt tek çështjet S.W. dhe Streletz, Kessler dhe Krenz (cituar lart) po kështu nuk mund të pranohet. Rasti konkret nuk ka të bëjë me çështje të zhvillimit progresiv të së drejtës penale përmes interpretimit gjyqësor, si në rastin e çështjes S.W. Po kështu, rasti në fjalë nuk ka të bëjë me një praktikë të Shtetit e cila është në papajtueshmëri me ligjin e shkruar apo të pashkruar të Shtetit. Në çështjen Streletz, Kessler dhe Krenz, aktet e kërkuesve kishin përbërë vepra penale të përkufizuara me qasshmëri dhe parashikueshmëri të mjaftueshme në të drejtën penale të Republikës Demokratike të Gjermanisë në kohën materiale, por ato dispozita nuk ishin zbatuar për një kohë të gjatë para ndryshimit të regjimit në vitin 1990.
74. Gjykata nuk e sheh të nevojshme të shqyrtojë me hollësi argumentin e mëtejshëm të Qeverisë që një detyrim sipas të drejtës humanitare ndërkombëtare për të dënuar si duhet krimet e luftës kërkonte që rregulla e jo prapaveprueshmërisë të lihej mënjanë në këtë rast. Ajo mjaftohet me shënimin që rregulla e jo prapaveprueshmërisë së krimeve dhe ndëshkimeve gjithashtu paraqitet në Konventat e Gjenevës dhe Protokollet e tyre Shtesë (shih paragrafin 43 lart). Për më tepër, meqenëse dënimet e kërkuesve ishin brenda kuadrit të të dy Kodeve të vitit 1976 dhe 2003, argumenti i Qeverisë që kërkuesit nuk do të ishin dënuar si duhet sipas Kodit të mëparshëm është qartazi i pabazuar.
75. Së fundi, ndërkohë që Gjykata në parim pajtohet me Qeverinë që Shtetet janë të lira të vendosin politikat e veta penale (shih Achour kundër Francës [GC], nr. 67335/01, § 44, ECHR 2006‑IV, dhe Ould Dah kundër Francës (dec.), nr. 13113/03, ECHR 2009), ata duhet të veprojnë në pajtim me kërkesat e nenit 7 gjatë këtij procesi.
D. Përfundim
76. Rrjedhimisht, Gjykata konsideron që ka pasur shkelje të nenit 7 të Konventës në rrethanat e veçanta të çështjes në fjalë. Ky përfundim nuk duhet të merret si i atillë që tregon se duhet të ishin caktuar dënime më të ulëta, por thjesht që në rastin e kërkuesve duhet të ishin zbatuar dispozitat e Kodit të vitit 1976 në lidhje me dënimin.
III. ANKESA E KËRKUESVE PËR DISKRIMINIM
77. Në fund, kërkuesit argumentuan, pa hyrë në detaje, që fakti që çështjet e tyre ishin dëgjuar para Gjykatës së Shtetit, ndërkohë që shumë çështje të tjera të krimeve të luftës ishin dëgjuar para gjykatave të Entitetit, përbënte shkelje të nenit 14 të Konventës dhe/ose nenit 1 të Protokollit nr. 12 të Konventës.
Neni 14 parashikon:
“Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në [Konventë] duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.”
Neni 1 i Protokollit nr. 12 parashikon:
“1. Gëzimi i të drejtave dhe lirive të përcaktuara me ligj duhet të sigurohet pa asnjë diskriminim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.”
2. Askush nuk duhet të diskriminohet nga një autoritet publik për ndonjë nga arsyet e parashikuara në paragrafin 1.”
78. Qeveria ftoi Gjykatën të ndiqte praktikën e saj gjyqësore në çështjen Šimšić, cituar lart. Ajo shtoi që shpërndarja e çështjeve të krimeve të luftës mes Gjykatës së Shtetit dhe gjykatave të Entitetit nuk ishte arbitrare: ajo bëhej nga Gjykata e Shtetit mbi bazën e kritereve objektive dhe të arsyeshme. Për sa i përket rastit të Z. Maktouf, Qeveria diskutoi që ai ishte i ndjeshëm dhe kompleks, meqenëse kishte qenë një prej çështjeve të para që kishte të bënte me krime lufte të kryera nga një muxhahedin i huaj (TNPJ ishte marrë me atë çështje për herë të parë në vitin 2006 në çështjen Hadžihasanović dhe Kubura). Përveç kësaj, prerjet rituale të kokave që ishin kryer në kampet e tyre kishin shkaktuar alarm mes popullit. Qeveria konstatoi që çështja e Z. Damjanović ishte gjithashtu e ndjeshme duke pasur parasysh, inter alia, faktin që ajo kishte të bënte me torturimin e një numri të madh viktimash. Një arsye tjetër për transferimin e çështjes së Z. Damjanović tek Gjykata e Shtetit ishte ekzistenca e ambienteve më të mira për mbrojtjen e dëshmitarëve në Gjykatën e Shtetit; pra ekzistonte një rrezik më i madh i frikësimit të dëshmitarëve në nivelin e Entitetit.
79. Kërkuesit nuk ishin dakord me Qeverinë. Ata u shprehën se çështjet e tyre nuk ishin as të ndjeshme, as komplekse. Z. Maktouf gjithashtu diskutoi që shtetësia e tij irakiane dhe feja e tij kishin qenë arsyeja kryesore për vendimin e Gjykatës së Shtetit për të mbajtur juridiksionin.
80. Zyra e Përfaqësuesit të Lartë, në parashtrimet e palës së tretë në nëntor 2012, ishte dakord me Qeverinë.
81. Nocioni i diskriminimit është interpretuar vazhdimisht në praktikën gjyqësore të Gjykatës për sa i përket nenit 14 të Konventës. Kjo praktikë gjyqësore e ka bërë të qartë që diskriminim do të thotë trajtimi i ndryshëm, pa justifikim objektiv dhe të arsyeshëm, të personave në situata të ngjashme. I njëjti term, diskriminim, përdoret po ashtu në nenin 1 të Protokollit nr. 12. Pavarësisht nga dallimi në fushëveprim mes atyre dispozitave, kuptimi i këtij termi në nenin 1 të Protokollit nr. 12 synonte të ishte identik me kuptimin e tij në nenin 14 (shih Sejdić dhe Finci kundër Bosnje dhe Hercegovinës [GC], nr. 27996/06 dhe nr. 34836/06, § 55, ECHR 2009).
82. Në rastin konkret, Gjykata së pari shënon që duke pasur parasysh numrin shumë të madh të çështjeve të krimeve të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, është e pashmangshme që barra duhet të ndahet mes Gjykatës së Shtetit dhe gjykatave të Entitetit. Nëse jo, Shteti përgjegjës nuk do të ishte në gjendje të respektonte detyrimin e tij të Konventës për të sjellë para drejtësisë të gjithë përgjegjësit për shkelje të rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare me kohë (shih Palić kundër Bosnje dhe Hercegovinës, nr. 4704/04, 15 shkurt 2011).
83. Gjykata ka dijeni për faktin që gjykatat e Entitetit kanë dhënë në përgjithësi dënime më të lehta se Gjykata e Shtetit në kohën relevante (shih paragrafin 30 lart), por ai dallim në trajtim nuk duhet të shpjegohet me karakteristikat personale dhe, prandaj, nuk përbën trajtim diskriminues. Fakti nëse një çështje duhet të dëgjohej para Gjykatës së Shtetit apo para një gjykate të Entitetit vendosej sipas çështjes nga vetë Gjykata e Shtetit duke u mbështetur në kritere objektive dhe të arsyeshme të përmendura në paragrafin 40 lart (bëj kontrastin me Camilleri kundër Maltës, nr. 42931/10, 22 janar 2013, ku një vendim i tillë varej vetëm nga prokurori). Rrjedhimisht, në rrethanat e veçanta të këtij rasti, nuk duket të ketë shkelje qoftë të nenit 14 të marrë së bashku me nenin 7 të Konventës, qoftë të nenit 1 të Protokollit nr. 12 (shih Magee kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 28135/95, § 50, ECHR 2000 VI, dhe Šimšić, cituar lart).
84. Prandaj, ankesa e kërkuesve për diskriminim është dukshëm e pabazuar dhe duhet të refuzohet në përputhje me nenin 35 §§ 3 (a) dhe 4 të Konventës.
IV. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
85. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj, dhe nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmet materiale
86. Z. Maktouf pretendoi që ai e kishte pasur të pamundur të udhëhiqte kompaninë e tij si pasojë e gjyqit dhe ndëshkimit të tij dhe që kishte pësuar dëme në shumën 500,000 euro (EUR).
87. Qeveria e konsideroi pretendimin të pabazuar.
88. Gjykata është dakord me Qeverinë dhe e refuzon këtë pretendim për mungesë bazash.
B. Dëmet jo-materiale
89. Z. Maktouf pretendoi shumën 100,000 euro sipas këtij titulli. Z. Damjanović gjithashtu pretendoi kompensim për dëme jo-materiale, por nuk saktësoi një shumë që do të ishte e drejtë.
90. Qeveria konsideroi që pretendimi i Z. Maktouf ishte i tepërt.
91. Meqenëse nuk është e sigurt që kërkuesit vërtet do të kishin marrë dënime më të ulëta sikur të ishte zbatuar Kodi i vitit 1976 (bëj kontrastin me Ecer dhe Zeyrek kundër Turqisë, nr. 29295/95 dhe nr. 29363/95, ECHR 2001‑II, dhe Scoppola, cituar lart), Gjykata vendos në rrethanat e veçanta të kësaj çështjeje që gjetja e shkeljes në vetvete përbën shpërblim të drejtë për çdo dëm jo-material të pësuar nga kërkuesit.
C. Kostot dhe shpenzimet
92. Z. Maktouf më tej pretendoi shumën 36,409 euro për koston dhe shpenzimet para gjykatave vendase. Z. Damjanović iu dha ndihmë ligjore, sipas skemës së Gjykatës për ndihmë ligjore, në shumën totale 1,545 euro për paraqitjen e avokatit të tij në seancën para Dhomës së Madhe. Ai kërkoi rimbursimin e kostove dhe shpenzimeve shtesë para Gjykatës në shumën 13,120 euro.
93. Qeveria konsideroi që pretendimet ishin të pabaza.
94. Sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës, një kërkuesi i takon rimbursimi i kostos dhe shpenzimeve vetëm për aq sa është treguar se ato kanë qenë faktikisht të nevojshme dhe që shuma është e arsyeshme. Pra, kërkuesi duhet t’i ketë paguar ato, ose pritet që t’i paguajë, në përputhje me detyrimet ligjore apo kontraktuale, dhe ato duhet të kenë qenë të pashmangshme në mënyrë që të parandalohej shkelja e gjetur apo për të arritur një zgjidhje. Gjykata kërkon fatura të sakta të cilat përmbajnë hollësi të mjaftueshme për t’i mundësuar asaj të konstatojë se deri ku janë përmbushur kriteret e mësipërme. Në rastin konkret, duke pasur parasysh dokumentet në dispozicion dhe kriteret e lartpërmendura, Gjykata e konsideron të arsyeshme të caktojë 10,000 euro për secilin prej kërkuesve, plus taksat e ngarkueshme, sipas këtij titulli.
D. Interesi i munguar
95. Gjykata e konsideron të përshtatshme që përqindja e interesit të munguar të bazohet mbi kursin margjinal huadhënës të Bankës Qendrore Evropiane, të cilit duhet t’i shtohen tri pikë përqindjeje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. E deklaron të papranueshme, me shumicë votash, ankesën në lidhje me nenin 6 të Konventës;
2. E deklaron të papranueshme, me shumicë votash, ankesën në lidhje me nenin 14 i marrë në lidhje me nenin 7 të Konventës dhe nenin 1 të Protokollit nr. 12;
3. E deklaron të pranueshme, njëzëri, ankesën në lidhje me nenin 7 të Konventës;
4. Vendos, njëzëri, që ka pasur shkelje të nenit 7 të Konventës;
5. Vendos, njëzëri,
(a) që Shteti përgjegjës t’u paguajë kërkuesve brenda tre muajve nga 10,000 euro (dhjetëmijë euro) secilit, plus taksat e ngarkueshme, në lidhje me koston dhe shpenzimet, të konvertuara në valutën e Shtetit përgjegjës me kursin e zbatueshëm në datën e vendimit;
(b) që nga përfundimi i tre muajve të lartpërmendur deri në pagesë do të paguhet interes i thjeshtë mbi shumën e mësipërme në përqindjen e shkallës margjinale të kreditimit të Bankës Qendrore Evropiane gjatë periudhës standarde plus tri pikë përqindjeje;
6. Rrëzon, njëzëri, pjesën tjetër të pretendimit të kërkuesve për shpërblim të drejtë.
E bërë në anglisht dhe në frëngjisht, dhe e shpallur në seancë publike në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut, Strasburg, më 18 korrik 2013.
Michael O’BoyleDean Spielmann
Zëvendës KancelarKryetar
Në përputhje me nenin 45 § 2 të Konventës dhe nenin 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, mendimet e ndara të mëposhtme i bashkëngjiten këtij gjykimi:
(a) mendimi paralel i Gjyqtarit Ziemele;
(b) mendimi paralel i Gjyqtarit Kalaydjieva;
(c) mendimi paralel i Gjyqtarit Pinto de Albuquerque, të cilit i bashkohet Gjyqtari Vučinić.
D.S.*.
M.O’B.*.
Opinionet e veçanta nuk janë përkthyer, por ato janë pjesë e versionit(eve) zyrtar(e) në gjuhën angleze dhe/ose franceze të vendimit që gjendet në bazën e të dhënave të Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, ta base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
[1]. Armija Republike Bosne i Hercegovine (Ushtria e Republikës së Bosnje dhe Hercegovinës).
[2]. Bosnjakët njiheshin si myslimanë deri në luftën e viteve 1992-95. Termi “bosnjakë” (Bošnjaci) nuk duhet të ngatërrohet me termin “boshnjakë” (Bosanci) i cili përdoret për t'iu referuar shtetasve të Bosnje dhe Hercegovinës, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike.
[3]. Hrvatsko vijeće obrane (Këshilli Kroat i Mbrojtjes).
[4]. Vojska Republike Srpske (Ushtria e Republika Srpska).
[5]. Rezoluta 827 (1993) e datës 25 maj 1993.
[6]. Shih raportin mbi statusin juridik të TPNJ dhe mundësitë e referimit drejt gjykatave vendase të disa çështjeve të zhvilluara nga TPNJ në qershor 2002 (S/2002/678) dhe deklarata e Kryetarit të Këshillit të Sigurimit të OKB e datës 23 qershor 2002 (S/PRST/2002/21).
[7]. Rezoluta 1503 (2003) e datës 28 gusht 2003.
[8]. Për më shumë informacione në lidhje me ato pushtete, të njohura edhe si “pushtetet e Bonn-it”, shih Mendimin e Komisionit të Venedikut mbi Situatën Kushtetuese në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Pushteti i Përfaqësuesit të Lartë (dokumenti CDL-AD(2005)004 i datës 11 mars 2005).
[9]. Gazetat Zyrtare të Bosnje dhe Hercegovinës nr. 3/03, 37/03, 32/03, 54/04, 61/04, 30/05, 53/06, 55/06, 32/07 dhe 8/10.
[10]. Gazetat Zyrtare të Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë nr. 44/76, 36/77, 56/77, 34/84, 37/84, 74/87, 57/89, 3/90, 38/90 dhe 45/90.
[11]. Gazetat Zyrtare të Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës nr. 43/98, 2/99, 15/99, 29/00, 59/02 dhe 19/03.
[12]. Gazetat Zyrtare të Republika Srpska nr. 22/00, 33/00 dhe 37/01.
[13]. Shih vendimin e Dhomës së të Drejtave të Njeriut CH/97/69 të datës 12 qershor 1998 në çështjen Herak, dhe vendimin e Gjykatës Supreme të Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës Kž-58/99 të datës 16 mars 1999 në një çështje gjenocidi, duke reduktuar një dënim nga 40 vjet burg në 20 vjet burg.
[14]. Shih, për shembull, vendimin në çështjen Vlahovljak të shtatorit 2008, në të cilin Gjykata Supreme e Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës zbatoi Kodin e vitit 2003.
[15]. Vendim X-KRŽ-06/299 i datës 25 mars 2009 në çështjen Kurtović.
[16]. Vendimet X-KRŽ-09/847 i datës 14 qershor 2011 në çështjen Novalić; X-KRŽ-07/330 i datës 16 qershor 2011 në çështjen Mihaljević; S1 1 K 002590 11 Krž4 i datës 1 shkurt 2012 në çështjen S.L.; S1 1 K 005159 11 Kžk i datës 18 prill 2012 në çështjen Aškraba; dhe S1 1 K 003429 12 Kžk i datës 27 qershor 2012 në çështjen Osmić.
[17]. Vendimet X-KRŽ-06/431 i datës 11 shtator 2009 në çështjen Kapić; dhe X-KRŽ-07/394 i datës 6 prill 2010 në çështjen Đukić.
[18]. Vendimet X-KRŽ-08/488 i datës 29 janar 2009 në çështjen Vrdoljak; dhe X-KRŽ-06/243 i datës 22 shtator 2010 në çështjen Lazarević.
[19]. Vendimet X-KRŽ-06/299 i datës 25 mars 2009 në çështjen Kurtović; dhe S1 1 K 002590 11 Krž4 i datës 1 shkurt 2012 në çështjen S.L..
[20]. Vendimi X-KRŽ-09/847 i datës 14 qershor 2011 në çështjen Novalić.
[21]. Një version i konsoliduar i tij është publikuar në Gazetën Zyrtare të Bosnje dhe Hercegovinës nr. 49/09, amendamentet janë publikuar në Gazetat Zyrtare nr. 74/09 dhe nr. 97/09.
[22]. Gazeta Zyrtare e Bosnje dhe Hercegovinës, Seria e Traktateve Ndërkombëtare, nr. 12/04, nr. 7/05 dhe nr. 8/06.
[23]. Gazeta Zyrtare e Bosnje dhe Hercegovinës, Seria e Traktateve Ndërkombëtare, nr. 93/06 dhe nr. 3/07.
[24]. Gazetat Zyrtare të Bosnje dhe Hercegovinës nr. 3/03, 36/03, 32/03, 26/04, 63/04, 13/05, 48/05, 46/06, 76/06, 29/07, 32/07, 53/07, 76/07, 15/08, 58/08, 12/09, 16/09 dhe 93/09.
[25]. Pravilnik o pregledu predmeta ratnih zločina, KTA-RZ 47/04-1; një kopje e atij dokumenti u sigurua nga Qeveria.
Full & Egal Universal Law Academy