© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (ëëë./humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (www./humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (www./humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
Nota Informative e praktikës gjyqësore të Gjykatës nr. 165
korrik 2013
Maktouf dhe Damjanović kundër Bosnje dhe Hercegovinës [GC] - 2312/08 and 34179/08
Vendimi 18.7.2013 [GC]
Neni 7
Neni 7-1
Dënim më i rëndë
Zbatimi prapaveprues i të drejtës penale që cakton dënime më të rënda për krime lufte sesa ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprave: shkelje
Faktet – Të dy kërkuesit u dënuan nga Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës (“Gjykata e Shtetit”) për krime lufte të kryera kundër civilëve gjatë luftës së viteve 1992-1995. Gjykata e Shtetit ngriti dhomat e krimeve të luftës në fillim të vitit 2005 si pjesë e strategjisë përmbyllëse të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Gjykata e Shtetit, e cila përbëhet nga gjyqtarë vendas dhe ndërkombëtarë, mund të vendosë të marrë përsipër çështje të krimeve të luftës për shkak të ndjeshmërisë apo kompleksitetit të tyre, dhe mund të transferojë çështje më pak të ndjeshme dhe komplekse tek gjykatat kompetente të dy entiteteve të Bosnjes dhe Hercegovinës (“Gjykatat e entitetit”).
Kërkuesi i parë (Z. Maktouf) u dënua nga Gjykata e Shtetit në korrik 2005 për dhënien e ndihmës në marrjen e dy pengjeve civile si krim lufte dhe u iu caktua dënimi me pesë vjet burgim sipas Kodit Penal të Bosnje dhe Hercegovinës të vitit 2003 (“Kodi Penal i vitit 2003”). Në prill 2006, një dhomë apeli e gjykatës e konfirmoi dënimin e tij dhe vendimin për burg pas një seance të re me pjesëmarrjen e dy gjyqtarëve ndërkombëtarë. Kërkuesi i dytë (Z. Damjanović), i cili kishte marrë pjesë në mënyrë aktive në rrahjen e boshnjakëve të kapur në Sarajevë në vitin 1992, u dënua në qershor 2007 për tortura si krime lufte dhe iu caktua dënimi me njëmbëdhjetë vjet burgim sipas Kodit Penal të vitit 2003.
Në kërkesat e tyre drejtuar Gjykatës Evropiane, të dy burrat u ankuan, inter alia, që Gjykata e Shtetit u kishte zbatuar atyre në mënyrë prapavepruese një të drejtë penale më të rreptë, Kodin Penal të vitit 2003, sesa ajo që kishte qenë e zbatueshme në kohën kur ata i kishin kryer krimet, pra Kodi Penal i Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë i vitit 1976 (“Kodi Penal i vitit 1976”) dhe për pasojë ata kishin marrë dënime më të rënda.
E drejta – Neni 7: Gjykata përsëriti që nuk ishte detyra e saj të shqyrtonte in abstracto nëse zbatimi prapaveprues i Kodit Penal të vitit 2003 në çështjet e krimeve të luftës ishte, per se, i papajtueshëm me nenin 7. Kjo çështje duhet të vlerësohej sipas rastit, duke marrë parasysh rrethanat e veçanta të secilës çështje dhe, posaçërisht, faktin nëse gjykatat vendore kishin zbatuar ligjin dispozitat e të cilit ishin më të favorshme për të pandehurin në fjalë.
Përkufizimi i krimeve të luftës ishte i njëjtë në Kodet Penale të viteve 1976 dhe 2003 dhe kërkuesit nuk e kontestuan faktin që veprimet e tyre përbënin vepra penale të përcaktuara me qasshmëri dhe parashikueshmëri të mjaftueshme në kohën kur u kryen. Ajo që diskutohej pra nuk ishte ligjshmëria e dënimeve të tyre por kornizat e ndryshme të dënimeve të zbatueshme për krime lufte sipas dy Kodeve.
Gjykata e Shtetit e kishte dënuar kërkuesin e parë me pesë vjet burgim: dënimi më i ulët i mundshëm për dhënien e ndihmës në krime lufte sipas Kodit të vitit 2003, ndërsa sipas Kodit të vitit 1976 dënimi i tij mund të ishte reduktuar në një vit. Po kështu, kërkuesi i dytë ishte dënuar me njëmbëdhjetë vjet burgim, pak më shumë se minimumi dhjetë-vjeçar i i zbatueshëm në rastin e tij sipas Kodit të vitit 2003. Megjithatë, sipas Kodit të vitit 1976, do të kishte qenë e pamundur që të caktohej një dënim prej vetëm pesë vjetësh.
Meqenëse kërkuesit kishin marrë dënimet më të ulëta të mundshme, ishte posaçërisht relevant fakti që Kodi i vitit 1976 ishte më i butë për sa i përkiste dënimit minimal. Në këto kushte, fakti që Kodi i vitit 2003 mund të ketë qenë më i butë për sa i përket dënimit maksimal ishte jomaterial sepse krimet për të cilat ishin dënuar kërkuesit qartazi nuk i përkisnin kategorisë me të cilën përkonte dënimi maksimal. Më tej, ndërkohë që Gjykata pranoi që dënimet e kërkuesve ishin brenda diapazonit të Kodit Penal të vitit 1976 dhe Kodit Penal të vitit 2003, pra nuk mund të thuhej fare me siguri që cilido prej kërkuesve do të kishte marrë dënim më të ulët po të ishte zbatuar Kodi i vitit 1976, pika thelbësore ishte që kërkuesit mund të kishin marrë dënime më të ulëta sikur ai të ishte zbatuar. Rrjedhimisht, meqenëse ekzistonte mundësia reale që zbatimi prapaveprues i Kodit të vitit 2003 kishte vepruar në disavantazh të kërkuesve për sa i përket dënimit, nuk mund të thuhej që atyre u ishin ofruar mbrojtje efektive kundër caktimit të një dënimi më të rëndë.
Po kështu, Gjykata nuk mundi të binte dakord me argumentin e Qeverisë që nëse një akt ishte kriminal sipas “parimeve të përgjithshme të së drejtës së njohur nga kombet e civilizuara” (neni 7 § 2 i Konventës) në kohën kur është kryer atëherë rregulla e mos-prapaveprueshmërisë të krimeve dhe dënimeve nuk zbatohej. Ky argument ishte në papajtueshmëri me qëllimin e hartuesve të Konventës që neni 7 § 1 përmbante rregullën e përgjithshme të mos-prapaveprueshmërisë dhe që neni 7 § 2 ishte vetëm një qartësim kontekstual, i përfshirë për të siguruar që nuk kishte dyshime lidhur me vlefshmërinë e ndjekjeve penale pas Luftës së Dytë Botërore për sa u përkiste krimeve të kryera pas asaj lufte. Pra, ishte e qartë se hartuesit e Konventës nuk kishin pasur për qëllim të lejonin përjashtime të përgjithshme nga rregulla e mos-prapaveprueshmërisë.
Në lidhje me argumentin e Qeverisë që një detyrim sipas së drejtës humanitare ndërkombëtare për të dënuar krimet e luftës kërkonte si duhej që rregulla e mos-prapaveprueshmërisë të lihej mënjanë në rastin e kërkuesve, Gjykata vërejti që rregulla gjithashtu paraqitej edhe në Konventat e Gjenevës dhe Protokollet Shtesë të tyre. Për më tepër, meqenëse dënimet e kërkuesve ishin brenda diapazonit të të dy Kodeve Penal të viteve 1976 dhe 2003, argumenti i Qeverisë që kërkuesit nuk mund të ishin dënuar në mënyrë të përshtatshme sipas këtij Kodit të fundit ishte qartësisht i pabazuar.
Rrjedhimisht, kishte pasur shkelje të nenit 7 në rrethanat e veçanta të çështjeve të kërkuesve. Megjithatë, Gjykata theksoi që ai përfundim nuk tregonte që duhet të ishin caktuar dënime më të ulëta por thjesht që duhet të ishin zbatuar dispozitat mbi dënimet në Kodin e vitit 1976.
Përfundimi: shkelje (njëzëri).
Neni 6 § 1: Kërkuesi i parë gjithashtu ishte ankuar që Gjykata e Shtetit nuk ishte e pavarur për qëllimet e nenit 6 § 1, kryesisht për shkak se dy prej anëtarëve të saj ishin emëruar nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë për Bosnje dhe Hercegovinën për një periudhë prej dy vitesh me mundësi vazhdimi. Gjykata europiane nuk gjeti arsye për të dyshuar që gjyqtarët ndërkombëtarë të Gjykatës së Shtetit ishin të pavarur nga organet politike të Bosnje dhe Hercegovinës, nga palët e kësaj çështjeje, dhe nga institucioni i Përfaqësuesit të Lartë. Emërimi i tyre ishte motivuar pikërisht nga dëshira për të fuqizuar pavarësinë e dhomës së krimeve të luftës të Gjykatës së Shtetit dhe për të rikthyer besimin publik në sistemin gjyqësor. Fakti që gjyqtarët në fjalë ishin caktuar nga mesi i gjyqtarëve profesionistë në vendet e tyre përkatëse përbënte një garanci shtesë kundrejt presionit të jashtëm. Megjithëse mandati i tyre ishte relativisht i shkurtër, kjo ishte e kuptueshme duke pasur parasysh natyrën e përkohshme të pranisë ndërkombëtare në Gjykatën e Shtetit dhe mënyrën se si funksiononin emërimet ndërkombëtare.
Përfundimi: e papranueshme (dukshëm e pabazuar)
Neni 14 dhe/ose neni 1 i Protokollit nr. 12: Për sa i përket ankesës së kërkuesve që gjyqi i tyre nga Gjykata e Shtetit dhe jo nga gjykatat e Entitetit ishte diskriminues, Gjykata vërejti që, duke pasur parasysh numrin e madh të çështjeve të krimeve të luftës në Bosnje dhe Hercegovinën e pas-luftës, ishte e paevitueshme që barra duhet të ndahej mes Gjykatës së Shtetit dhe gjykatave të Entitetit në mënyrë që Shteti përgjegjës të mund të përmbushte detyrimet e tij të Konventës për të sjellë drejtësi për ata që ishin përgjegjës për shkeljet e rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare në kohën e duhur. Megjithëse Gjykata ishte e vetëdijshme që gjykatat e Entitetit në përgjithësi caktonin dënime më të lehta sesa Gjykata e Shtetit në atë kohë, ai dallim në trajtim nuk duhet të shpjegohej me karakteristikat personale dhe prandaj nuk shkonte deri në trajtim diskriminues. Fakti nëse një çështje duhet të gjykohej nga Gjykata e Shtetit apo nga një gjykatë e Entitetit vendosej sipas secilës çështje specifike mbi bazën e kritereve objektive dhe të arsyeshme.
Përfundimi: e papranueshme (dukshëm e pabazuar).
Neni 41: Gjetja e një shkeljeje përbënte shpërblim të drejtë të mjaftueshëm për çdo dëm që mund të kishin pësuar kërkuesit. Pretendimi i bërë nga kërkuesi i parë në lidhje me dëmin material u rrëzua.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut
Kjo përmbledhje nuk është detyruese për Gjykatën.
Klikoni këtu për Notat Informative mbi praktikën gjyqësore
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Evropës (www./humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@echr..
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (www./humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@echr..
© Conseil de I’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (www./humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, ta base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@echr..
Full & Egal Universal Law Academy