© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
SEKSIONI I KATËRT
ÇËSHTJA MANOLE DHE TË TJERË KUNDËR MOLDAVISË
(Kërkesa nr. 13936/02)
VENDIM
[Ekstrakt]
STRASBURG
17 Shtator 2009
PËRFUNDIMTAR
17/12/2009
Ky vendim mund t’i nënshtrohet korrigjimeve.
Në çështjen Manole dhe të Tjerë kundër Moldavisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Katërt), me trup gjykues të përbërë prej:
Nicolas Bratza, President,
Josep Casadevall,
Giovanni Bonello,
Rait Maruste,
Lech Garlicki,
Ján Šikuta,
Stanislav Pavlovschi, gjyqtarë,
dhe Lawrence Early, Kancelar i Seksionit,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 27 gusht 2009,
Jep këtë vendim, i cili u mor në datën e fundit të lartpërmendur:
PROCEDURA
1. Çështja e ka filluar zanafillën në bazë të kërkesës (nr. 13936/02) kundër Republikës së Moldavisë drejtuar në Gjykatë, sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa") nga nëntë shtetas moldavian (“kërkuesit”: shih paragrafët 9-17 më poshtë), më 19 mars 2002.
2. Kërkuesit, të cilëve iu dha ndihmë ligjore, u përfaqësuan nga Z. V. Nagacevschi dhe Z. V. Gribincea që veprojnë në emër të “Juristet e të Drejtave të Njeriut”, një organizatë joqeveritare e vendosur në Kishinau. Qeveria Moldave ("Qeveria") u përfaqësua nga agjenti i saj në atë kohë, Z. V. Parlog.
3. Kërkuesit, të cilët ishin të gjithë të punësuar apo ish të si gazetarë në Teleradio-Moldavia ("TRM"), pretenduan se ishin viktima të një praktikë joligjore të ndikimit politik mbi politikën editoriale, në shkelje të nenit 10 të Konventës.
4. Më 15 qershor 2004, Dhoma e Seksionit të Katërt e deklaroi kërkesën pjesërisht të papranueshme dhe vendosi t’ia komunikonte Qeverisë që të bënte prapësimet.
5. Seanca publike gjyqësore u zhvillua në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg më 8 mars 2006 (neni 59 § 3 i Rregullores së Gjykatës).
U paraqiten përpara Gjykatës:
(a) për Qeverinë
Z.V. Parlog, Agjent,
Znj.D. Sarcu,
Znj.L. Grimalschi,
Znj.I. Lupusor,Këshilltar;
(b) për kërkuesin
Z.V. Nagacevschi,
Z.V. Gribincea,Përfaqësues ligjor,
Gjykata dëgjoi parashtresat nga Z. Parlog, Z. Nagascevschi dhe Z. Gribincea.
6. Me një vendim të 26 shtatorit 2006, Gjykata e deklaroi pjesën e mbetur të kërkesës të pranueshme.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
A. Teleradio-Moldavia
7. "Teleradio-Moldavia" (TRM) u krijua me dekret presidencial si një Shoqëri me Kapital Shtetëror më 11 mars 1994, nga institucioni i mëparshëm shtetëror i transmetimit. Statuti i TRM u ndryshua në 1995, 1996 dhe përsëri në vitin 2002, kur ajo u tranformua në një Shoqëri Publike (shih paragrafët 59, 60 dhe 65 më poshtë) dhe u regjistrua si e tillë më 26 korrik 2004.
8. Në nëntor 2004 një televizion privat Moldav (NIT) filloi transmetimin në shkallë kombëtare. Deri në atë datë, përveç TRM, vetëm një media publike rumune (Romania 1) dhe një media publike ruse (ORT) mund të shiheshin në të gjithë Moldavinë. Romania 1 nuk transmetonte lajme lokale dhe ORT filloi në vitin 2002 transmetimin e një buletini 10 minutësh të përditshëm me lajmet në Moldavi. Ndërkohë që në tetor 2004 61% e popullsisë së Moldavisë ishte rurale, televizioni kabllor ishte në dispozicion vetëm në qytetet e mëdha dhe përdorimi i televizionit satelitor ishte praktikisht i pazhvilluar. Sipas Qeverisë, një sondazh i autorizuar nga Qendra e Gazetarisë së Pavarur (shih paragrafin 76 më poshtë) në vitin 2004 tregoi se TRM ishte media më e shikuar në Moldavi dhe se buletini i lajmeve të mbrëmjes në TRM, ishte programi i preferuar televiziv prej rreth 20% të popullsisë.
B. Kërkuesit
9. Larisa Manole (kërkuesja e parë) kishte punuar në televizion që nga viti 1982 dhe ishte Shefe e Seksionit Televiziv të Lajmeve në TRM në vitet 2001-2002 dhe redaktore e prezantuese e buletinit të lajmeve të mbrëmjes në Rumanisht. Ajo u largua nga TRM në shtator 2002.
10. Corina Fusu (kërkuesja e dytë) ishte redaktore dhe prezantuese e emisionit zbavitës të mëngjesit, si edhe e buletinit të lajmeve të mbrëmjes dhe një programi kulturor dedikuar kulturës franceze. Ajo kishte filluar të punonte me paraardhësin e TRM-së në vitin 1990 dhe u shkarkua nga detyra në nëntor 2004.
11. Mircea Surdu (kërkuesi i tretë) ishte kryeredaktor dhe prezantues i një talk-show javor të mbrëmjes mbi çështjet kulturore, sociale dhe politike. Ai kishte filluar të punonte me paraardhësin e TRM-së në vitin 1985 dhe u shkarkua në gusht 2004 nga Shoqëria me Kapital Shtetëror për t’u punësuar më pas nga Shoqëria Publike në gusht 2004 .
12. Dinu Rusnac (kërkuesi i katërt) ishte kryeredaktor në Seksionin Televiziv të Lajmeve dhe prezantonte lajmet e mbrëmjes në rusisht. Ai u punësua nga TRM në korrik 1994 dhe u shkarkua në nëntor 2004.
13. Diana Donică (kërkuesja e pestë) ishte drejtore e Seksionit Televiziv Kulturor dhe kishte punuar në emisionin e prezantuar nga Mircea Surdu. Ajo iu bashkua TRM në gusht 1994 dhe u shkarkua nga Shoqëria me Kapital Shtetëror në gusht 2004, për t’u punësuar më pas nga Shoqëria Publike në gusht 2004.
14. Leonid Melnic (kërkuesi i gjashtë) ishte producent i disa programeve dhe talk-show brenda Seksionit Televiziv Kulturor. Ai kishte filluar të punonte me paraardhësin e TRM-së në gusht 1992 dhe u shkarkua nga Shoqëria me Kapital Shtetëror në gusht 2004, për t’u punësuar më pas nga Shoqëria Publike në gusht 2004.
15. Viorica Cucereanu-Bogatu (kërkuesja e shtatë) punoi si korrespondente speciale në Seksionin Televiziv të Lajmeve. Ajo kishte filluar të punonte me paraardhësin e TRM-së në gusht 1979 dhe u shkarkua në nëntor 2004.
16. Angela Aramă-Leahu (kërkuesja e tetë) ishte një kryeredaktore dhe prezantuese në Seksionin Televiziv Kulturor, si dhe producente dhe prezantuese e një shfaqjeje argëtuese. Ajo kishte filluar të punonte me paraardhësin e TRM-së në dhjetor 1983 dhe u shkarkua në nëntor 2004.
17. Ludmila Vasilache (kërkuesja e nëntë) ishte redaktore dhe prezantuese e programeve të ndryshme të Seksionit Televiziv Kulturor. Ajo kishte filluar të punonte me paraardhësin e TRM-së në shkurt 1990 dhe u shkarkua nga Shoqëria me Kapital Shtetëror në gusht 2004, për t’u punësuar më pas nga Shoqëria Publike në gusht 2004.
C. Parashtrimet e palëve për sa i përket kontrollit të panevojshëm politik ndaj TRM nga shkurti 2001 deri në nëntor 2004
1. Kërkuesit
18. Sipas kërkuesve, TRM kishte qenë subjekt i kontrollit politik gjatë gjithë ekzistencës së saj. Megjithatë, pas shkurtit të vitit 2001, kur Partia Komuniste fitoi një shumicë të madhe në zgjedhjet parlamentare, një numër i drejtuesve të lartë në TRM u shkarkuan dhe në pozicionet e tyre u vendosën persona besnikë të Qeverisë. Rrjedhimisht, kufizimet mbi lirinë e shprehjes gazetareske u intensifikuan.
19. Kërkuesit pretenduan se informacioni që transmetohej në edicionet e lajmeve ishte i kontrolluar rreptësishtë nga drejtuesit e lartë të TRM-së. Ndërsa më parë kishte qenë pjesë e punës së kërkuesit të parë, për të zgjedhur artikujt e lajmeve dhe të shkruante skriptin për pjesën e buletinit të cilën ajo prezantonte, pas vitit 2001 kjo detyrë ishte marrë përsipër nga Kreu i Seksionit të Lajmeve, i cili vendoste se cilat lajme duhet të përfshiheshin në bazë të një plani të përgatitur nga agjencia shtetërore e lajmeve "Moldpres". Lista e lajmeve që do transmetoheshin i dorëzohej për miratim Presidentit të TRM dhe Drejtorit të Radios dhe Televizionit. Materialeve lidhur me seancat parlamentare, mbledhjet qeveritare apo presidenciale si dhe vizitat lokale nga organet zyrtare duhet tu jepej përparësi.
20. Intervistat dhe raportet e një natyre politike i besoheshin vetëm një grupi të besuar gazetarësh dhe teknikësh. Ndërsa para vitit 2001 gazetarët kishin një masë të madhe kontrolli editorial, tashmë atyre u jepeshin udhëzime lidhur me tonin dhe drejtimin që duhet të merrte materiali; në raste të caktuara atyre u diktohej i gjithë materiali. Intervista dhe raporte të tjera, të cilat nuk transmetoheshin drejtpërdrejti, përzgjidheshin dhe redaktoheshin në mënyre që të paraqisnin partinë në pushtet në mënyrë të favorshme.
21. Në përputhje me politikën e TRM, raportet mbi aktivitetet e organet dhe zyrtarët pro-qeveritare do të zgjasnin nga 3 deri në 5 minuta. Raportet për ngjarje të tjera do të zgjasin nga një maksimum prej 60 deri në 90 sekonda. Si rezultat, dy të tretat e kohës së caktuar për edicionet e lajmeve do t’i dedikoheshin raporteve mbi çështjet e qeverisë. Konfliktet brenda vendit apo aktivitetet e organizuara nga opozita, organizatat jo-qeveritare apo personat me pikëpamje të ndryshme me ato të partisë në pushtet nuk do të raportoheshin. Asnjë parti opozitare nuk kishte kohë të përcaktuar për transmetime dhe një "listë e zezë" përmbante emrat e personave të shquar të jetës politike, kulturore dhe shkencore të cilët nuk mbështesnin Partinë Komuniste dhe rrjedhimisht nuk lejoheshin të ishin pjesë e programeve në TRM. Në raste të rralla kur një politikani të opozitës i jepej një kohë televizive, intervista cungohej apo fjalimit i shtoheshin komente gazetareske ose ndonjë tekst i dhënë nga agjencia e lajmeve Qeveritare, Moldpres.
22. Edhe programet e tjera ishin gjithashtu subjekt i censurës. Temat kontroverse ishin të ndaluara; identiteti i të ftuarve dhe i publikut në studio ishin të kontrolluara; programet direkte dhe ato interaktive u shmangen dhe thirrjet telefonike kontrolloheshin. Orari javor i transmetimit duhej të miratohej nga Presidenti TRM-së. Programet të cilat ai nuk i miratonte hiqeshin nga orari i transmetimit pa njoftim paraprak për shikuesit ose pjesëmarrësit në program dhe pa asnjë shpjegim.
23. Kërkuesit pretenduan se përdorimi i fjalëve dhe frazave të tilla si "rumune", "gjuha rumune", "Bessarabia", "Historia rumune", "regjim totalitar" ishin të ndaluara, siç ishte çdo referencë në periudha historike të tilla si periudhën midis dy luftërave botërore, uria e organizuar në BRSS, regjimit Stalinist, internimet në gulagë dhe periudha e rilindjes kombëtare të vitit 1989.
24. Kërkuesit identifikuan një numër incidentesh të veçanta gjatë kësaj periudhe. Këto përfshinin marrjen e një masë disiplinore ndaj një gazetari pasi kishte përdorur shprehjet "regjim totalitar komunist", "qeveri komuniste" dhe "sheshi i Asamblesë së Madhe Kombëtare" gjatë një raportimi të drejtpërdrejtë në Ditën e Pavarësisë më 27 gusht 2001; heqja e një interviste me Mircea Snegur, presidenti i parë i Moldavisë, nga një raportim në lajmet e mbrëmjes në lidhje me Ditën e Pavarësisë; qortimi i një gazetari i cili zhvilloi një intervistë me kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të Kinemasë, gjatë së cilës i intervistuari ishte shprehur "në periudhën e regjimit totalitare kishat ishin shkatërruar"; heqja e një interviste me ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Komuniste, G.E., më 22 shtator 2001, pasi duke iu referuar situatës ekonomike në Moldavi u shpreh se "aktualisht nuk mund të shihej drita në fund të tunelit"; fshirjen e një programi, i cili ishte parashikuar për t’u shfaqur në 28 tetor 2001, në lidhje me këngëtarët e kohës Doina dhe Jon Aldea Teodorovici; refuzimi për të transmetuar, më 13 shkurt 2002, një intervistë me parlamentarin Vlad Cubreacov në lidhje me zëvendësimin në programin mësimor të lëndës "Historia e rumunëve" me "Historia e Moldavisë"; refuzimi për të transmetuar qëndrimin e pozitës gjatë një raportimi mbi një debat në Parlament më 22 shkurt 2002, lidhur me situatën social-politike; censurimi i një raportimi mbi një konferencë për shtyp të dhënë nga deputeti i grupit parlamentar "Alianţa Braghiş", i cili kritikonte propozimet e qeverisë për reformën administrativo-territoriale; ndalimin e raportimeve në lidhje me Kongresin e Filologjisë dhe konferencave të organizuara nga historianët sepse ishin shprehur mendime në lidhje me "Historinë e rumunëve" dhe gjuhën rumune; ndalimin, në prill 2002, të një raporti rreth përurimit të Muzeut të Historisë Kombëtare, i cili i dedikohej viktimave të represionit Stalinist; ndalimin e shfaqjes në korrik 2002 së një raporti për Profesor Elle Pelerino, sepse ajo i referohej dëbimit sovjetik të etnitetit gjerman; fshirjen, nga një raport i korrikut 2002 rreth të ndjerit Gheorghe Ghimpu, i titullit të librit të tij "Ndërgjegjja kombëtare e rumunëve moldavë"; ndalimi gjatë stinëve të Krishtlindjeve 2002 dhe 2003 i çdo interviste me klerikët e Kishës Metropolitane të Bessarabisë.
25. Më 28 nëntor 2003 debati televiziv "Bună Seara", i prezantuar nga kërkuesi Surdu Mirçea, i dedikohej diskutimit për planin e federalizimit të Moldavisë, propozuar nga Federata Ruse. Të ftuarit në emision ishin Vladimir Filipov, përfaqësues i Këshillit të Evropës në Moldavi, Klaus Neurkirh, zëdhënësi i Misionit të OSBE-së, dhe tre liderët e grupeve parlamentare: Viktor Stepaniuc, Dumitru Braghiş dhe Iurie Roşca. Vladimir Filipov ishte lajmëruar nga kryetari i TRM disa orë para transmetimit për anulimin e debatit televiziv. Ekipi i prodhimit dhe prezantuesi nuk ishin informuar. Përfaqësuesi i OSBE-së, Dumitru Braghiş dhe Iurie Roşca u paraqitën në studio. Publiku zuri vendet dhe debati filloi. Megjithatë, pa dijeni e pjesëmarrësve, dhe pa asnjë shpjegim, ai nuk u transmetua dhe në vend të tij ishte shfaqur një film. Gazetarët të cilët kishin punuar lidhur me të u morën në pyetje më pas nga policia.
2. Qeveria
26. Qeveria nuk kundërshtoi incidentet specifike të identifikuara më lart nga kërkuesit. Megjithatë, ata pohuan se politikanët e opozitës kanë pasur qasje në televizionin kombëtar dhe se protestat e vitit 2002 ishin raportuar, siç tregohet nga tekstet e programeve të lajmeve për periudhën 14-27 shkurt 2002 dhe në data të tjera në prill 2002, korrik 2002 dhe nëntor 2003. Përveç kësaj, Programi i publikuar në TV tregonte transmetimet vijuese për TRM: më 14 maj 2004, program i titulluar "Tribuna e partive politike"; më 12 korrik 2004, programi i titulluar "Jeta publike", me pjesëmarrjen e Presidentit të Moldavisë; dhe më 15 korrik 2004, "Proceset demokratike dhe liria e mediave", me pjesëmarrjen e Z. V. Stepaniuc, lideri i grupit komunist parlamentar, Z. D. Braghiş, drejtuesi i grupit parlamentar "Moldova Democrată", Z. M. Petrache, lideri i një partie jo-parlamentare të qendrës "Bashkimi", dhe persona të tjerë të cilët nuk ishin përfaqësues të ndonjë partie politike.
27. Që nga viti 2002, për të mbështetur grupet e pakicave kombëtare kryesore, TRM i transmetonte programet në gjashtë gjuhë, përkatësisht, në gjuhën ruse, ukrainase, kaukaziane, bullgare, rome dhe jidish.
28. Gjatë fushatës zgjedhore të 2005, programe të tilla si "Ora e opozitës" dhe më pas "Ballafaqim" i kishin dhënë mundësi opozitës për të shprehur pikëpamjet e tyre për një orë çdo javë. Jashtë periudhës zgjedhore, programi "Platforma e partive politike" i lejonte një politikani të opozitës për të komunikuar me publikun për dhjetë minuta çdo javë. Për më tepër, që nga viti 2005, të gjitha debatet në parlament ishin transmetuar në televizionin TRM dhe kanalet e radios.
D. Protestat dhe greva e vitit 2002
29. Nga 9 janari deri në maj të vitit 2002, partia kryesore opozitare në atë kohë, Partia Popullore Demokristiane, organizoi demonstrata të përditshme kundër vendimit të qeverisë për të ndryshuar programin lëndës së historisë në shkolla dhe rivendosjen e studimit të gjuhës ruse të detyrueshme. Demonstratat, në Sheshin e Asamblesë së Madhe Kombëtare jashtë ndërtesës kryesore qeveritare, përfshinë dhjetëra mijëra protestues (shih më tej Partia Popullore Demokristiane kundër Moldavisë, nr. 28793/02, ECHR 2006-II).
30. Sipas Qeverisë, demonstratat ishin raportuar në edicionet e lajmeve në TRM, kryesisht në raportet nga kërkuesi Corina Fusu. Kërkuesit, megjithatë, pohuan se raportimi mbi demonstratat ishte shumë i kufizuar dhe i kontrolluar rreptësishtë sidomos në mënyrë që të mos jepej ndonjë informacion në lidhje me arsyet e protestave apo pikëpamjet e shprehura nga opozita gjatë debatit parlamentar.
31. Më 25 shkurt 2002, 331 anëtarë të stafit të TRM nënshkruan në vijim deklaratën e protestës:
“Ne, punonjësit e Teleradio-Moldavia, vërejmë se, pas fitores së Partisë Komuniste në zgjedhje, liria jonë e shprehjes është cenuar. Shikuesit dhe dëgjuesit tanë kanë qenë të privuar nga e drejta për informacion të saktë dhe të paanshëm. Në fakt, autoritetet kanë vendosur, në radion dhe televizionin kombëtar, stilin sovjetik të censurës politike, të ndaluar nga Kushtetuta e Moldavisë. Si rezultat "Teleradio-Moldavia" është bërë një instrument indoktrinimi dhe manipulimi i opinionit publik, zëdhënës i partisë në pushtet. Ne protestojmë kundër këtyre veprimeve totalitare, të cilat cenojnë të drejtat e teleshikuesve, dëgjuesve të radios dhe lirinë e shtypit në tërësi. Shkeljet e parimeve demokratike të këtij lloji janë të rrezikshme, sepse ato destabilizojnë situatën politike në vendin tonë. Ne shprehim solidaritetin tonë me veprimet e demonstruesve, të drejtuar kundër sovjetizimit të detyruar, të qëllimshëm dhe shkatërrimin e sistemit demokratik. Ne kërkojmë heqjen e censurës ndaj Shoqërisë me Kapital Shtetëror Teleradio-Moldavia dhe respektimin e të drejtës së njerëzve për informata të sakta, të besueshme dhe të paanshme. Ne kërkojmë që autoritetet të respektojnë politikat demokratike dhe pro-evropiane të cilën njerëzit e këtij vendi kanë zgjedhur.”
32. Më 26 shkurt 2002 deklarata iu dërgua agjencisë së lajmeve dhe disa mijëra njerëz u mblodhën para selisë së TRM për të protestuar kundër kontrollit politik. Më vonë atë ditë, gjatë regjistrimit të buletinit të lajmeve të orës 19.00, kërkuesi i katërt, Dinu Rusnac, refuzoi të lexonte nga skripti që i ishte dhënë, pasi nuk përmendeshin protestat e zhvilluara jashtë selisë TRM. Ekipi i lajmeve filloi të transmetonte një raport në lidhje me demonstratat, por, pas pak minutash, buletini u ndërpre dhe u zëvendësua me një film dokumentar. Forcat ushtarake u thirrën në studio. Larisa Manole nuk u lejua që të prezantonte lajmet në gjuhën rumune gjatë buletinin të orës 21.00, për shkak të përfshirjes së saj në protesta.
33. Më 27 shkurt 2002, një grup i stafit të TRM-së vendosi të hyjë në një grevë të pjesshme dhe një Komitet Greve u zgjodh për këtë qëllim. Komiteti i Grevës i dërgoi Presidentit të TRM-së dhe Qeverisë një listë të kërkesave, duke përfshirë heqjen e censurës, dhe redaktorët dhe reporterët e lajmeve vendosën për të filluar prezantimin e buletinit të lajmeve të pa censuruar. Një grup prej rreth 700 demonstrues u mblodhën jashtë ndërtesës TRM-së.
34. Atë pasdite (27 shkurt 2002), Presidenti i Moldavisë vizitoi TRM-në dhe u takua me përfaqësues të Komitetit të Grevës. Ai deklaroi se edhe ai gjithashtu ishte kundër censurës. Megjithatë, ai hodhi poshtë një kërkesë për t’i ofruar opozitës një orë kohë televizive, me arsyetimin se demonstratat në Sheshin e Asamblesë së Madhe Kombëtare ishin të paligjshme.
35. Më 5 mars 2002 kërkuesi i katërt, Dina Rusnac, shtoi në skriptin e buletinit të lajmeve të orës 19.00 një artikull në lidhje me reagimin e Komitetit të Grevës ndaj deklaratave të caktuara të Presidentit të Moldavisë dhe gjithashtu një intervistë me liderin e Partisë Popullore Demokristiane, Iurie Rosca. Shefi i Seksionit të Lajmeve e hoqi këtë artikull nga skripti. Gjatë dhënies së lajmeve, që transmetoheshin drejtpërsëdrejti, Z. Rusnac denoncoi censurën e bërë dhe e mbajti skriptin e redaktuar para kamerës. Menjëherë, Shefi i Seksioni urdhëroi teknikën të ndërpriste audion.
36. Më 7 mars 2002 Parlamenti krijoi një komision të veçantë parlamentar për të përpunuar një "strategji për përmirësimin e punës së TRM-së".
E. Marrja e masave disiplinore ndaj kërkuesit të parë dhe të katërt
37. Pas ngjarjeve të 27 shkurtit 2002, kërkuesi i parë, Larisa Manole, e cila më parë kishte lexuar çdo mbrëmje lajmet në rumanisht, u lejua t’i prezantonte ato vetëm një ose dy mbrëmje në javë. Më 6 mars 2002, me arsyetimin se ajo kishte bërë një gabim gjatë leximit të lajmeve, u hoq nga pozita e redaktores dhe krye prezantueses të lajmeve duke u caktuar si gazetare e re dhe nuk lejohej më që të prezantonte buletinin e lajmeve.
38. Ajo ngriti padi kundër TRM-së dhe më 11 shtator 2002 Gjykata e Apelit vendosi në favor të saj, duke urdhëruar TRM-në për ta rivendosur atë në pozicionin e saj të mëparshëm të prezantueses së lajmeve. Megjithatë, TRM nuk e zbatoi vendimin dhe Znj. Manole kurrë nuk u kthye në detyrën e mëparshme. Asaj nuk iu dha shumë punë si reportere dhe u bë subjekt i ngacmimeve dhe censurës, në pikën ku ajo nuk ishte më në gjendje për të përballuar jetesën e saj me të ardhurat që përfitonte dhe u detyrua të japë dorëheqjen më 13 nëntor 2002. Më pas ajo punoi për një agjenci shtypi dhe një kompani tjetër televizive.
39. Më 7 mars 2002 ndaj kërkuesit të katërt, Dinu Rusnac, u vendos një masë disiplinore në formën e një paralajmërimi të rëndë ("mustrare aspră") pasi devijoi nga skripti i autorizuar i buletinit të lajmeve me nismën e vet. Përveç kësaj, ai u shkarkua nga detyra e tij e prezantuesit të lajmeve dhe u privua nga e drejta për të prezantuar ndonjë program lajmesh.
40. Ai ngriti padi kundër TRM-së dhe, më 23 shtator 2002, Gjykata e Apelit vendosi heqjen e masës disiplinore me arsyetimin se, Z. Rusnac nuk kishte shkelur asnjë detyrim kontraktual duke devijuar nga skripti. Megjithatë, ajo hodhi poshtë kërkesën e tij për t’u rikthyer si lexues i lajmeve, pasi vërejti se, ai nuk kishte lidhur asnjë kontratë për këtë pozicion, por e kishte mbajtur atë në bazë të një marrëveshjeje verbale. Më 25 tetor 2002, TRM tërhoqi masën disiplinore në përputhje me vendimin e Gjykatës së Apelit.
F. Raporti i Këshillit Koordinues i Radio Televizionit
41. Midis 16 dhe 19 prill 2002 Këshilli Koordinues i Radio Televizionit ("KKRT", shih paragrafin 58 më poshtë) kishte organizuar një sërë takimesh me drejtuesit dhe stafin e TRM për të diskutuar çështjen e censurës dhe probleme të tjera me të cilat përballej kompania. Më 29 prill 2002 KKRT publikoi konkluzionet e tij, si më poshtë:
“Si administrata, ashtu edhe stafi shprehën interesimin dhe dëshirën e tyre për të gjetur një zgjidhje të shpejtë të konfliktit, i cili kishte ngritur kërkesa dhe krijimin e një komiteti greve.
Diskutimet u përqendruan në dy tema të përgjithshme:
natyra e politizuar e Komitetit të Grevës dhe ngjarjet që kishin ndodhur brenda TRM-së;
çështjet sociale dhe administrative, me theks mbi potencialin e parealizuar krijues të stafit.
Një seri e gjatë ngjarjesh çuan deri në grevë. Ka pasur një qarkullim shumë të lartë të drejtuesve të lartë në administratën qendrore të shoqërisë dhe departamente, e cila kishte sjellë pasoja serioze. Në kundërshtim me kontratat e tyre të punës, disa gazetarë dhe asistentë nuk po vepronin më në përputhje me udhëzimet që lidheshin me përgatitjen dhe transmetimin e programeve, që çoi në rrëzimin e standardeve të përcaktuara dhe mosrespektimin e rregullave dhe kërkesave të transmetimit. Preferencat politike të gazetarëve të caktuara të televizionit u vunë në dukje nga fakti se një grup prej tyre menjëherë mbështeti demonstratat në Sheshin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të organizuar nga partia opozitare parlamentare. Duke përfituar nga situata e krijuar, gazetarët jo vetëm shkelën në mënyre të pashembullt procedurat profesionale, por gjithashtu e rënduan situatën në kompani duke e ndarë personelin në dy kampe: ‘ne’ dhe ‘ata’.
... Masat disiplinore, duke përfshirë tërheqjen e licencës së prezantues, janë vendosur mbi gazetarë që kishin shkelur procedurat e transmetimit. Deklaratat tendencioze të anëtarëve të Komitetit të Grevës u hodhën poshtë nga shumica e stafit TRM-së. Kjo çoi në krijimin e Komitetit të Anti-Grevës, i cili nuk kishte më pak anëtarë se Komitetit i Grevës.
Veprimi i Komitetit të Grevës nuk u mbështet nga Komiteti i Sindikatës së TRM-së. Anëtarët e Komitetit të Grevës i paraqitën kërkesat jo vetëm tek drejtuesit e shoqërisë dhe tek Qeveria, por edhe në Këshillin e Evropës, pa e informuar Këshillin Koordinues të Radio Televizionit.
Në lidhje me nocionet e “censurës “ dhe “zbatimin e censurës” në procesin kreativ, kishte pasur një përpjekje për të kualifikuar si “censurë” kërkesat themelore të përcaktuara në përputhje me detyrimet e shërbimit. Në të njëjtën kohë ishte ngritur çështja e censurës së “jashtme” dhe “të brendshme”.
Në fakt, ata janë përpjekur të përdorin ekzistencën e censurës për të justifikuar punën e tyre me cilësi të dobët dhe mungesën e profesionalizmit. Gazetarët kanë dështuar në kryerjen si duhet të detyrave që drejtuesit e lartë u kanë besuar me qëllim të prodhimit të programeve të paanshme. Kërkesat themelore të profesionalizmit janë interpretuar si një formë diktati apo censure. Megjithatë, nuk mund të përjashtohet se drejtorë të caktuar u përpoqën t’i drejtonin transmetimet e tyre të drejtpërdrejta në favor të linjës partiake që mbante shumicën parlamentare. Përpjekjet e përfaqësuesve të pushtetit shtetëror për të influencuar mesazhin e përcjellë nga programet që transmetohen ende vazhdojnë, edhe pse KKRT nuk ka shembuj konkretë të kësaj. Është e kuptueshme që kjo influence e padrejtë ka çuar në protesta nga ana e stafit kreativ. Kjo është tipike për televizionin.
Kështu, “censura politike” është përcaktuar si mungesë profesionalizmi nga ana e drejtorëve të caktuar në lidhje me organizimin e procesit krijues. “Censura politike” ka evoluar në “censurë intelektuale”.
Gjithashtu, është vërejtur se administrata e shoqërisë nuk e ndalonte përdorimin e fjalëve Bessarabia, rumune, gjuha rumune, historia rumune, ose regjimi totalitar në një kontekst historik. Megjithatë, ajo nuk lejon përdorimin e tyre në raportet lidhur me ngjarjet aktuale. Kërkesave të anëtarëve të Komitetit të Grevës u ishte dhënë kohë televizive për t’u transmetuar. ...
Statuti TRM ishte subjekt i shqyrtimit nga Bashkimit Evropian para se të miratohej nga Qeveria. Megjithatë, dispozita të caktuara ende nuk janë reflektuar në aktivitetin krijues TRM-së apo në marrëdhëniet ndërmjet drejtuesve dhe stafit. Propozimet për ndryshimin e statusit nga kompani shtetërore në kompani publike janë ambicioze por nuk kanë një bazë financiare. ...
Pra, KKRT, pasi shqyrtoi situatën në shoqërinë shtetërore Teleradio-Moldavia, konsideron se
Praktika e përhershme e ndryshimit të drejtorëve dhe ushtrimin e presionit mbi stafin krijuese, që është interpretuar si vendosje e censurës, janë të papajtueshme me veprimtarinë krijuese të personelit.
Statuti i shoqërisë shtetërore Teleradio-Moldavia dhe krijimi i mundshëm në të ardhmen i posteve publike në televizion dhe radio duhet të shqyrtohet publikisht.
Dispozitat e Statutit duhet të respektohen nga kompania, e cila ka përgjegjësinë e krijimit të një strukture kolegjiale, Bordin e Drejtorëve.
Vendimi përfundimtar në lidhje me ofrimin e pajisjeve të fuqishme dhe financimin, duke përfshirë shpërblimet, duhet të merret nga Parlamenti dhe Qeveria.
Statuti dhe përbërja e Komisionit Artistik të Radio Televizionit, si dhe udhëzimet për përgatitjen dhe transmetimin e programeve duhet të rishqyrtohen. Duhen përcaktuar dispozita për rishikimin e përhershëm dhe me përgjegjësi të plotë të legjislacionit për sektorin audiovizual.
Procedurat për trajnimin dhe riorientimin e stafit duhet të rishikohen dhe të organizohen programe trajnimit në studiot jashtë vendit.”
G. Transformimi i TRM-së në kompani publike dhe procedura e rikthimit në detyrë
42. Më 7 qershor 2002 Presidenti i Moldavisë bëri një deklaratë për shtyp në lidhje me TRM. Ai shprehu rezervat e tij për sa i përket Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe i kërkoi autoriteteve Moldave për ta transformuar TRM nga kompani me kapital shtetëror në një shoqëri publike (shih paragrafin 61 më poshtë), por deklaroi se ai do të pranonte vendimin e Parlamentit për të bërë një ndryshim të tillë.
43. Më 26 korrik 2002 Parlamenti miratoi ligjin nr. 1320-XV mbi Institucionin Publik Audiovizual, "Teleradio-Moldavia", i cili bëre transformimin e tij nga një shoqëri me kapital shtetëror në një shoqëri publike (shih paragrafin 65 më poshtë).
44. Sipas ligjit të ri, stafi i shoqërisë së vjetër duhej të kalonte një testim në mënyrë që të punësoheshin në shoqërinë e re të krijuar. Një Komision Testimi u ngrit në maj të vitit 2004. Kërkuesi Mircea Surdu u zgjodh përfaqësues i personelit ekzistues të TRM-së në këtë Komision.
45. Të gjithë kërkuesit iu nënshtruan testimit. Rezultatet u bënë publike më 26 korrik 2004. Corina Fusu, Dinu Rusnac, Viorica Cucereanu-Bogatu, dhe Angela Arama-Leahu nuk arritën të riktheheshin në postet e tyre, së bashku me një numër të madh të personave që kishin qenë aktivë gjatë grevës së vitit 2002. Mircea Surdu dha dorëheqjen nga Komisioni i Testimit në shenjë proteste.
46. Më 27 korrik 2004 gazetarët të cilët nuk kishin mundur të mbanin postin e tyre organizuan një konferencë për shtyp në të cilën ata pretendonin se ishin refuzuar për arsye politike. Një raport lidhur me konferencën për shtyp ishte planifikuar për buletinin e lajmeve të orës 19.00. Megjithatë, Presidenti i TRM mori vendimin që në vend të tij të transmetohej një dokumentar mbi natyrën.
47. Në të njëjtën datë, Presidenti i TRM-së nxori një urdhër me të cilin nëntëmbëdhjetë personat të cilët kishin marrë pjesë në konferencë për shtyp, duke përfshirë pesë nga kërkuesit, ndaloheshin të hynin në ambientet e TRM-së. Gazetarët dhe përkrahësit e tyre vazhduan protestën jashtë ndërtesës së TRM-së për disa muaj me radhë.
H. Procedurat gjyqësore në lidhje me procedurën e rikthimit në detyrë
48. Kërkuesit Corina Fusu, Angela Aramă-Leahu, Dinu Rusnac dhe 57 persona të tjerë iu drejtuan Dhomës Administrative të Gjykatës së Apelit të Kishinau në lidhje me paligjshmërinë e procedurës së rikthimit në detyrë, duke pretenduar në veçanti se Paneli i Testimit ishte ndërtuar në mënyrë të paligjshme.
49. Me një vendim të 24 shtatorit 2004 Gjykata e Apelit e Kishinaut e hodhi poshtë kërkesën si të pabazë. Ajo vërejti, inter alia, se përbërja e Panelit të Testimit ishte në pajtim me ligjin Nr. 1320-XV të datës 26 korrik 2002, dhe që ky ligj nuk u jep kërkuesve të drejta të veçanta lidhur me organizimin e testimit. TRM kishte vepruar brenda kompetencave diskrecionare në bazë të ligjit dhe ata nuk kishin asnjë të drejtë për të kundërshtuar dispozitat ligjore.
50. Më 16 mars 2005 Gjykata e Lartë e Drejtësisë e hodhi poshtë ankesën si të pabazë.
II. PARIMET DHE UDHEZIMET MBI SHËRBIMIN PUBLIK TË TRANSMETIMIT RADIO TELEVIZIV, TË PËRCAKTUARA NGA KOMITETI I MINISTRAVE TË KËSHILLIT TË EVROPËS
51. Në Konferencën e Katërt Ministrore Evropiane për Politikën e Masmedias në Pragë, 7-0 dhjetor 1994, Komiteti i Ministrave miratoi rezolutat e mëposhtme:
Rezoluta Nr. 1 mbi të Ardhmen e Shërbimit Publik të Transmetimit Radio Televiziv
...
52. Në vitin 1996 Komiteti i Ministrave miratoi Rekomandimin nr. R(96)10, "Për Garantimin e Pavarësisë së Shërbimit Transmetimit Publik”.
...
53. Në dhjetor të vitit 2000 Komiteti i Ministrave miratoi Rekomandimin Rec.(2000)23 mbi "Pavarësinë dhe Funksionet e Autoriteteve Rregullatorë për Sektorin e Transmetimit", e cila, ndër të tjera, theksoi se për të garantuar ekzistencën e një game të gjerë të mediave të pavarura dhe autonome në sektorin e transmetimit radio televiziv, ishte e domosdoshme për të siguruar rregullimin adekuat dhe proporcional, në mënyrë që të garantohej liria e mediave dhe në të njëjtën kohë të sigurohej një ekuilibër mes kësaj lirie dhe të drejtave dhe interesave të tjera legjitime.
...
54. Më 27 shtator 2006 Komiteti i Ministrave miratoi "Deklaratën për garantimin e pavarësisë së shërbimit publik të transmetimit radio televiziv në Shtetet anëtare” ...
III. E DREJTA DHE PRAKTIKA VENDASE
A. Mjetet juridike për të kundërshtuar pajtueshmërinë e së drejtës së brendshme me Konventën
55. Sipas nenit 4 të Ligjit të Procedurave Administrative (ligji nr. 793-XIV, 10 shkurt 2000), ligjet dhe dekretet administrative si dhe urdhrat dhe vendimet e Presidentit dhe Qeverisë nuk i nënshtrohen shqyrtimit gjyqësor; ata janë subjekt i verifikimit të kushtetutshmërinë së tyre. Shqyrtimi i kushtetutshmërisë bëhet vetëm nga Gjykata Kushtetuese (neni 4 i Ligjit të Gjykatës Kushtetuese, ligji nr. 317-XIII, 13 dhjetor 1994). Nuk ka asnjë formë direkte, siç është ankimi individual për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Personat dhe institucionet që venë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese janë të përcaktuar në mënyrë shteruese në nenin 25 të Ligjit të Gjykatës Kushtetuese dhe të nenit 38 të Kodit të Juridiksionit Kushtetues, të cilat parashikojnë si më poshtë:
“Të drejtën për të venë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese e kanë:
(a) Presidenti i Republikës së Moldavisë;
(b) Qeveria;
(c) Ministri i Drejtësisë;
(d) Gjykata e Lartë;
(e) Gjykata për Çështjet Ekonomike;
(f) Avokati i Shtetit;
(g) një anëtar i Parlamentit;
(h) një grup parlamentar;
(i) Avokati i Popullit;
(j) Asambleja Popullore e Kaukazit (Gagauz-Yeri) ...”
B. Dispozitat kushtetuese që kanë të bëjnë me transmetimet radio televizive
56. Liria e shprehjes është e garantuar me Kushtetutë, si më poshtë:
“Neni 32. Liria e shprehjes dhe mendimit
(1) Të gjithë qytetarëve u garantohet liria e mendimit, si dhe liria për të shprehur publikisht mendimet dhe opinionet e tyre me anë të fjalës, imazhit apo çdo mënyrë tjetër të mundshme.
(2) Ushtrimi i lirisë së shprehjes nuk mund të dëmtojë nderin, dinjitetin ose të drejtat e njerëzve të tjerë që kanë dhe shprehin mendimet dhe gjykimet e tyre.
(3) Ligji ndalon dhe ndjek penalisht të gjitha veprimet që synojnë të mohojnë dhe fyejnë Shtetin apo popullin. Nxitja për rebelim, luftë, agresion, urrejtje etnike, racore apo fetare, nxitje për diskriminim, separatizëm territoriale, dhunë publike, apo veprime të tjera që kërcënojnë rendin kushtetues, gjithashtu ndalohen dhe përgjegjësit ndiqen penalisht.”
C. Ligji për Transmetimet Radio Televizive (1995)
57. Ligji për Transmetimet Radio Televizive (ligji nr. 603-XIII, 3 tetor 1995) përcakton standardet për lirinë e shprehjes në transmetimet radio televizive, si më poshtë:
“Neni 2
(3) Institucionet e transmetimeve radio televizive nuk i nënshtrohen censurës.
Neni 3
Liria e shprehjes audio vizuale nënkupton respektimin e rreptë të Kushtetutës dhe nuk mund të ushtrohet në dëm të dinjitet, nderit, jetës private, apo imazhit të një personi tjetër.
Neni 6
(1) Shteti garanton të gjitha kushtet e nevojshme për veprimtarinë e institucioneve publike radio televizive.
(2) Shteti garanton pajisjen e institucioneve publike radio televizive me pajisjet e nevojshme teknike për transmetimet e tyre.
Neni 29
Gazetari i një institucioni radio televiziv, i cili vepron në emër të tij, ka të drejtë:
...
(h) t’i drejtohet gjykatave të të gjitha niveleve.
58. Ligji krijon Këshillin e Koordinimit të Radio Televizionit (“KKRT”):
“Neni 31
(1) Këshilli Koordinues i Radio Televizionit përbëhet nga nëntë anëtarë, të emëruar nga:
(a) Parlamenti – tre anëtarë (përfshirë një specialist audioviziv);
(b) Presidenti i Republikës së Moldavisë - tre anëtarë (përfshirë një specialist audioviziv);
(c) Qeveria - tre anëtarë (përfshirë një specialist në telekomunikacion). ...”
D. Krijimi i TRM-së si një transmetues shtetëror
59. TRM u krijua më 11 mars 1994 me dekretin presidencial nr. 63, ku parashikohet si më poshtë vijon:
“Neni 1
Radio dhe Televizioni Kombëtar likuidohet.
Neni 2
Krijohet shoqëria shtetërore ‘Teleradio-Moldavia’.
Neni 4
Administrimi i shoqërisë shtetërore ‘Teleradio-Moldavia’ ushtrohet nga Presidenti i shoqërisë, ndërsa koordinimi i veprimtarisë së saj do të kryhet nga Këshilli Koordinues.”
60. Statuti TRM-së u ndryshua me Vendimin e Qeverisë nr. 502 të datës 12 shtator 1996 mbi Statutin e Shoqërisë me Kapital Shtetëror "Teleradio-Moldavia". Ky vendim parashikon si më poshtë:
“Neni 2
Shoqëria është një institucion publik radio televiziv. Veprimtaria krijuese dhe editoriale e shoqërisë mbrohet me ligj nga ndërhyrjet e autoriteteve publike dhe presioni i partive politike.
Neni 3
‘Teleradio-Moldavia gëzon statusin e shoqërisë shtetërore.
Neni 4
Themelues i shoqërisë është Qeveria, e cila vepron në emër të Republikës së Moldavisë. Veprimtaria e shoqërisë do të administrohet nga Shteti nëpërmjet Këshillit Koordinues i Radio Televizionit.
Neni 10
Shoqëria ka objektivat e mëposhtme:
Të sigurojë informacion të vërtetë dhe objektiv rreth jetës sociale-politike, ekonomike dhe kulturore të vendit si dhe marrëdhëniet e jashtme të Shtetit;
Të promovojë interesat e të gjitha shtresave të shoqërisë, të përhapë vlerat e paqes dhe humanizmit, vlerat demokratike dhe respektin për të drejtat e njeriut;
Të krijojë, mbledhë, ruajë dhe të promovojë vlerat kulturore dhe artistike.
Neni 20
Veprimtaria krijuese dhe editoriale e shoqërisë është e pavarur. Programet televizive dhe radio mbrohen me ligj nga ndërhyrjet e autoriteteve publike dhe nga ndikimi dhe presioni nga ndonjë parti politike.
Neni 22
Shoqëria ka detyrimin:
Të paraqesë në mënyrë objektive dhe të paanshme realitetin kombëtar dhe ndërkombëtar social-politik të jetës; të garantojë të drejtën e njerëzve për t’u informuar; të promovojë vlerat autentike e kulturës kombëtare, të kulturës së pakicave kombëtare dhe të kulturës universale;
Të garantojë lirinë e shprehjes, lirinë e mendimit dhe lirinë e qarkullimit të informacionit;
Të garantojë respektimin e të drejtave të gazetarëve në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe me praktikën ndërkombëtare; të garantojë praninë e personave me pikëpamje të ndryshme politike dhe fetare në transmetimet e saj;
T’u japë prioritet dhe të transmetojë pa pagesë deklaratat për shtyp të Parlamentit, Qeverisë dhe Presidentit të Moldavisë ...
Neni 23
Strukturat e kërkimit dhe krijimit të Shoqërisë u sigurojnë gazetarëve të drejtën për të shprehur opinionet dhe qëndrimet e tyre. Shoqëria nuk mund të detyrojë një gazetar për të promovuar ide të cilat janë në kundërshtim me vlerat e tij ose të saj morale.
Neni 24
Programet e transmetuara nga shoqëria nuk duhet të propagandojnë luftë, agresion, urrejtjen etnike, racore, klasore apo fetare, veprime të dhunshme kundra Shtetit, aktet terroriste, separatizmit territoriale, mosbindjen publike, apo ide dhe opinione në kundërshtim me standardet morale.
Neni 30
Presidenti i shoqërisë, Drejtori i Përgjithshëm i Televizionit dhe Drejtori i Përgjithshëm i Radios emërohen nga Parlamenti me nismën e vet ose me propozimin e Këshillit Koordinues të Radio Televizionit. Mandati i tyre është për pesë vjet. Zëvendës Presidenti i shoqërisë do të emërohet nga Këshilli Koordinues i Radio Televizionit, me propozim të Presidentit të shoqërisë për një periudhë prej pesë vjetësh.
Neni 31
Presidenti i shoqërisë:
Drejton shoqërinë; ...
Punëson dhe shkarkon punonjësit e shoqërisë;
Mbikëqyr veprimtarinë e Bordit të Drejtorëve; ...
Neni 33
Bordi i Drejtorëve është një organ kolegjial dhe administrativ konsultativ i shoqërisë. Ai përbëhet nga trembëdhjetë anëtarë, të cilët duhet të veprojnë në përputhje me Rregulloren e Bordit të Drejtorëve.
Neni 34
Presidenti i shoqërisë është anëtar i Bordit të Drejtorëve. Anëtarët e tjerë do të jenë përfaqësuesit e Qeverisë dhe të Këshillit Koordinues të Radio Televizionit.”
E. i Transformimi i TRM-së në një shoqëri publike
1. Rekomandimet dhe raportet e Këshillit të Evropës në lidhje me propozimin për ta transformuar TRM në një transmetues të shërbimit publik
61. Më 24 prill 2002 Asambleja Parlamentare miratoi rezolutën 1280 (2002) për "Funksionimin e institucioneve demokratike në Moldavi", e cila shprehte, inter alia:
“1. Asambleja Parlamentare shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me ngjarjet që ndodhin në Moldavi që nga janari 2002 dhe frikën e saj për përkeqësimin e vazhdueshëm dhe radikalizimin e klimës politike atje, e cila është një kërcënim për stabilitetin e vendit.
2. Demonstratat e organizuara nga Partia Popullore Demokristiane e (PPDK) vazhdojnë ende në qendër të qytetit të Kishinau që prej më shumë se tre muaj e gjysmë. ...
7. Asambleja vëren se shkalla e lëvizjes protestuese së gazetarëve dhe stafit të Teleradio-Moldavia nënvizon nevojën për kryerjen sa më shpejt të reformave, në mënyrë të garantohet plotësisht liria e shprehjes dhe të promovohet një shërbim transmetues publik. Ajo kërkon nga autoritetet që t’i jepet fund praktikës së censurës së programeve televizive dhe të ballafaqohet me të gjitha partitë opozitare politike, si brenda dhe jashtë parlamentit, dhe një qasje më të madhe në debatet televizive. Ajo i kërkon Qeverisë moldave dhe Parlamentit të nisë pa vonesë transformimin e Teleradio-Moldavia në një shoqëri publike të pavarur. ...
10. Asambleja Parlamentare kërkon nga forcat politike moldave të ndjekin rrugën e dialogut të vërtetë, konstruktiv dhe të gjejnë një kompromis lidhur me elementet e mposhtëm: ...
iv. rishikimi i legjislacionit për radio-televizionin dhe ndryshimin e statusit të Teleradio-Moldavia për ta bërë atë një shoqëri të pavarur aksionare me ofertë publike; fillimi i menjëhershëm i punës së komisionit përkatës parlamentar; rishikimi i mundshëm i konsideratave të draft legjislacionit të shqyrtuar nga legjislatura e kaluar; ... përfundimin e punës deri në përfundimin e sesionit aktual të parlamentar, më 31 korrik 2002;
11. Asambleja i bën thirrje Qeverisë moldave dhe Parlamentit për të marrë masat e mësipërme pa vonesë. ...
14. Asambleja i bën thirrje autoriteteve moldave të bashkëpunojnë plotësisht me Këshillin e Evropës dhe organeve të tij, dhe në veçanti: ...
ii. të paraqesë për vlerësim nga Këshillit e Evropës, masat që do merren lidhur me reformën për transmetimet radio televizive dhe transformimin e shoqërisë shtetërore Teleradio-Moldavia në një shoqëri të pavarur të shërbimit publik; ...”
62. Në të njëjtën ditë Asambleja Parlamentare miratoi Rekomandimin nr. 1554(2002) për "Funksionimin e institucioneve demokratike në Moldavi", i cili përmbante inter alia kërkesat në vijim:
“5. Asambleja gjithashtu i kërkon Komitetit të Ministrave të rrisë bashkëpunimin me autoritetet moldave në lidhje me:
i. Vlerësimin e shpejtë të masave që do merren për të reformuar transmetimin radio televiziv dhe transformimin e shoqërisë shtetërore Teleradio-Moldavia në një kompani të pavarur të shërbimit publik; ...”
63. Pas korrespondencën ndërmjet autoriteteve moldave dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, një ekspert, Karol Jakubowicz, Shef i Planifikimit Strategjik dhe Zhvillim në Televizionin polak, bëri një analizë me shkrim të projekt-ligjit të Qeverisë për transmetimet publike radio televizive në Moldavi. Në raportin e tij të parë, të datës 22 korrik 2002, (ATCM (2002) 19), Z. Jakubowicz komentoi, inter alia:
“"Drafti i Qeverisë ... ofron shumë forma të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të politikës në aktivitetet e institucionit të transmetimit radio-televiziv:
• Detyrimi në nenin 4 (2) dhe nenin 6 (1) për të transmetuar ‘communications d’intérêt public, reçues des autorités publiques’ dhe për t’u siguruar kohë transmetimi, në bazë të kërkesës, autoriteteve publike dhe organeve të administratës publike, për transmetimin e këtyre lloj deklaratash, pa asnjë kufizim në lidhje me përmbajtjen, natyrën dhe arsyet për transmetimin e tyre.
• Emërimi i anëtarëve të "Këshillit të Vëzhguesve’ direkt nga Parlamenti, Presidenti dhe Qeveria - neni 13(2).
• Mundësia e shkarkimit të tyre në çdo kohë nga organi që i ka emëruar ata, në rast të shkeljes së Loi de l’Audiovisuel’, domethënë praktikisht për çdo arsye - neni 13 (5).
• Kërkesa që rregullat e procedurës së Këshillit të Vëzhguesve duhet të miratohen nga Parlamenti - neni 13 (7).
• Emërimi i Drejtorit të Përgjithshëm direkt nga Parlamenti, i cili gjithashtu mund ta shkarkojë atë për një mocion nga Këshilli i Vëzhguesve - neni. 19
• E drejta e një komisioni të posaçëm parlamentar për të kërkuar shpjegim me shkrim për çdo veprim nga ana e transmetuesit publik, i cili sipas mendimit të Parlamentit shkel ligjin, dhe pastaj të kërkojë, së bashku me KKRT, se shkeljet e tilla të korrigjohen.
Këto dispozita të propozuara vështirë se mund të konsiderohen në përputhje me Rekomandimin Nr. R (96)10 të Komitetit të Ministrave të KE për garantimin e pavarësisë së shërbimit të transmetimit publik ose me nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Neni 10 kur parashikon se, liria e shprehjes ushtrohet "pa ndërhyrjen e autoriteteve publike" i referohet në mënyrë të veçantë ndërhyrjeve nga ana e Shtetit ose nga një autoritet publik apo zyrtar. Për më tepër, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka pranuar se në rrethana të caktuara Konventa mund të vendosë një detyrim pozitiv për Shtetin për të parandaluar, rregulluar ose kufizuar cenimet e lirisë së shprehjes nga person ose organe private. Ushtrimi real dhe efektiv i lirisë së shprehjes dhe informimit nuk kërkon thjesht mosndërhyrjen nga ana e Shtetit, por gjithashtu mund të kërkojë marrjen e masave pozitive për të ndihmuar, nxitur dhe për të mbrojtur lirinë e shprehjes. Shtetet anëtare të Konventës Evropiane kanë detyrimin për të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur dhe promovuar lirinë e shprehjes të ushtruar nga media dhe gazetarët. Dispozitat e renditura më sipër nuk pajtohen me këto detyrime, sepse ata përqendrohen në krijimin e arsyeve pozitive për autoritetet politike për të ndërhyrë në punën e transmetuesit publik në mënyra të cilat krijojnë një mundësi reale të kufizimit të lirisë së saj".
64. Në analizën e dytë të datë 18 dhjetor 2002, Z. Jakubowicz, (ATCM (2002) 30), u shqetësua kryesisht lidhur me propozimet për përbërjen e organit drejtues të TRM-së, "Këshilli i vëzhguesve". Ai iu referua udhëzimit, në Shtojcën e Rekomandimin Nr. R (96) 10 të Komitetit të Ministrave (shih paragrafin 51 më lart), se dispozitat që rregullojnë statusin dhe anëtarësimin e organeve mbikëqyrëse të shoqërive të transmetimit publik duhet të hartohen në mënyrë që të shmangin rrezikun e vendosjes së këtyre organeve nën ndikimin politik apo ndonjë lloji tjetër dhe vërejti se kishte dy modele të mundshme për përbërjen dhe mënyrën e emërimit të anëtarëve të organeve si të Këshillit Mbikëqyrës.:
“• Sipas modelit të parë, institucione të identifikuara dhe grupe të shoqërisë civile autorizohen të caktojnë një përfaqësues të zgjedhur prej tyre në Këshillin e Transmetimit, për një periudhë të caktuar (p.sh. katër vjet). Shembuj të institucioneve dhe grupeve të tilla janë kishat, universitetet, teatrot, autorë, gazetarë, muzikantë, fermerët, gratë, të rinjtë, federatat e sportit, ambientalistët, punëdhënësit, sindikatat, etj.
• Sipas modelit të dytë, një numër i caktuar i anëtarëve (p.sh. nëntë apo dymbëdhjetë) emërohen nga Parlamenti ose nga disa institucione publike (p.sh. një e treta nga Parlamenti, një e treta nga Qeveria, një e treta nga Presidenti). Duke qenë se anëtarët e Këshillit të Transmetimit duhet të përfaqësojnë interesat e shoqërisë civile, kujdes i veçantë duhet pasur për të siguruar që ata të mos përfaqësojnë pikëpamjet politike dhe interesat e atyre që i kanë emëruar...
Në kushtet sociale-politike të një vendi në tranzicion, modeli i dytë përmban një kontradiktë potenciale: a munden personat e emëruar nga Parlamenti, Qeveria apo Presidenti, me të vërtetë të përfaqësojnë shoqërinë civile, apo interesat e shoqërisë në përgjithësi? Në kushtet e politizimit ekstrem të jetës publike, a munden të emëruarit politikë të MOS përfaqësojnë në të vërtetë pikëpamjet politike dhe interesat e atyre që i emërojnë?
Për shkak se ky rrezik është shumë i lartë, ne besojmë se duhet preferuar modeli i parë.
Natyrisht, pavarësisht nga të gjitha masat ligjore parandaluese që mund të merren, askush nuk mund të kontrollojë anëtarët individualë të Këshillit se kë do duan të dëgjojnë apo pikëpamjet e kujt duan të ndjekin. Për këtë arsye, është e rëndësishme që përbërja e Këshillit të jetë sa më pluraliste të jetë e mundur, në mënyrë që ndikimet e mundshme që anëtarët e Këshillit mund të kenë të jenë sa më të larmishme që të jetë e mundur. ...”
2. Ligji Nr. 1320-XV TRM dhe ndryshimet e tij
65. Më 26 korrik 2002, me synimin për ta transformuar TRM në një shoqëri publike që kryen shërbim publik në fushën e radio televizionit, Kuvendi miratoi ligjin nr 1320-XV TRM në një shoqëri publike që kryen shërbim publik në fushën e radio televizionit Teleradio-Moldavia. Ligji, i cili nuk kishte marrë parasysh rekomandimet e ekspertëve të Këshillit të Evropës (shih paragrafët 63-64 më lart), parashikonte si më poshtë:
“Neni 1
Krijohet shoqëria publike radio televizive–“Teleradio-Moldavia”. Ajo është një institucion me personalitet juridik dhe me autonomi funksionale dhe pavarësi editoriale, që garantojnë të drejtën e lirisë për të shpërndarë informacion të vërtetë dhe objektive në të gjithë territorin e Republikës së Moldavisë..
Neni 5
(2) Shoqëria duhet të sigurojë një larmi të madhe të transmetimeve që mbulojnë interesat e kategorive të ndryshme sociale, kombëtare, fetare dhe politike.
(3) Shoqëria duhet të sigurojë respektimin e parimit të objektivitetit dhe paanshmërisë në lajmet e saj dhe dokumentarët e transmetuar.
Neni 13
(1) Këshilli Mbikëqyrës është një organ i pavarur i cili do të jetë përgjegjës për të garantuar respektimin e të drejtës së popullit dhe të shoqërisë për të marrë informacion të vërtetë, të plotë dhe objektive. Ai ngarkohet me detyrën e monitorimit e veprimtarisë së shoqërisë nëse është në pajtim me ligjin dhe statutin e saj.
(2) Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga 15 anëtarë, të cilët janë persona të njohur nga fushat e medias, kulturës, shkencës, edukimit, dhe fusha të tjera. Mandati i tyre është për pesë vjet dhe ata emërohen nga:
(a) Parlamenti – dy anëtarë (një nga opozita) ...;
(b) Presidenti i Republikës së Moldavisë – dy anëtarë;
(c) Qeveria – dy anëtarë;
(d) Këshilli i Lartë i Drejtësisë – një anëtar;
(e) Stafi kreativ i shoqërisë – një anëtar;
(f) Organizatat e minoriteteve kombëtare – dy anëtar;
(g) Konfederata e Sindikatave të Moldavisë – një anëtar;
(h) Konfederata e Sindikatave të Lira “Solidariteti” – një anëtar;
(i) Sindikata e Krijuesve (Sindikata e Shkrimtarëve, Sindikata e Artit plastik, Sindikata e Punonjësve të Kinemasë, Sindikata e Kompozitorëve, Sindikata e Punonjësve të Teatrit) - një anëtar;
(j) Organizatat e mediave (Sindikata e Gazetarëve, Shoqata e shtypit të lirë, Shoqata e shtypit elektronik, Komiteti për Lirinë e Shtypit, Qendra e Gazetarisë së Pavarur, Shoqata e medias masive) - një anëtar;
(k) Shoqata e Veteranëve – një anëtar.
Neni 14
Këshilli Mbikëqyrës:
Emëron Presidentin e kompanisë, zëvendës Presidentin, Drejtorin ekzekutiv të Televizionit dhe Drejtorin ekzekutiv të Radios;
Miraton përbërjen e Bordit të Drejtorëve;
Neni 20
Mbikëqyrja e aktivitetit të shoqërisë
(1) Mbikëqyrja e veprimtarisë së shoqërisë do të ushtrohet nga Këshilli Mbikëqyrës.
(2) Nëse Këshilli Mbikëqyrës nuk kryen siç duhet funksionet e tij mbikëqyrëse, Parlamenti mundet, me anë të një Komisionit të Posaçëm Parlamentar, të kërkojë nga çdo organ i shoqërisë informacion me shkrim në lidhje me veprimet ose mosveprimet e cila në këndvështrimin e Parlamentit bien në kundërshtim me ligjin. Komisioni i Posaçëm Parlamentar do të përbëhet nga përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare, të cilat do të përfaqësohen proporcionalisht me përfaqësimin e tyre në Parlament.
...
(4) Parlamenti, së bashku me Këshillin Koordinues Radio Televiziv, mund urdhërojë Shoqërinë të marrë masa të përshtatshme për të eliminuar shkeljet e gjetura të ligjit.
(5) Shoqëria mund t’i drejtohet gjykatës, në përputhje me legjislacionin në fuqi, lidhur me ligjshmërinë e urdhrave të marra ...
...
(7) Çdo masë e marrë sipas këtij neni nuk cenon lirinë e informacionit të Shoqërisë dhe të drejtën e lirisë së shprehjes.”
66. Më 18 shtator 2002 Komiteti i Ministrave miratoi një Përgjigje për Rekomandimin e Asamblesë Parlamentare 1554 (shih paragrafin 61 më sipër) në të cilin thuhej, inter alia, se statusi i TRM-së mbetet shqetësim. Edhe pse ligji nr. 1320-XV përfaqësonte një farë progresi, ai lejonte forma të shumta të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë politike në aktivitetet e TRM-së, siç edhe Z. Jakubowicz kishte vënë në dukje në analizën e tij. Komiteti i Ministrave theksoi se dispozita nuk janë në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës dhe rrezikonin të ishin në kundërshtim me nenin 10 të Konventës.
67. Më 26 shtator 2002 Asambleja Parlamentare miratoi një Rezolutë të mëtejshëm mbi funksionimin e institucioneve demokratike në Moldavi, nr. 1303 (2002), në të cilën ftonte autoritetet moldave për të "rishikuar, gjatë vjeshtës së vitit 2002, ligji për Shoqërinë Kombëtare Publike Radio Televizive Teleradio-Moldavia, duke përfshire në diskutim shoqërinë civile, shoqatat që përfaqësojnë mediat dhe opozitën politike, dhe duke mbajtur parasysh rekomandimet e ekspertëve të Këshillit të Evropës. Në veçanti, kërkohej që "rishikimi i dispozitave mbi emërimin, përbërja dhe kompetencat e Këshillit Mbikëqyrës të jenë subjekt i konsultimeve sa më të gjera të jete e mundur...”
68. Për pasojë, Qeveria vendosi se, ligji nr. 1320-XV nuk kishte qenë i mjaftueshëm për të përfunduar transformimin e TRM-së dhe hartoi një projekt-ligj për ndryshimin e ligjit ekzistues, i cili, përveç një sërë ndryshimesh të vogla, përmbante një propozim për likuidimin e TRM-së ekzistuese dhe krijimin e një shoqërie të re nën të njëjtin emër.
69. Z. Jakubowicz publikoi një analizë lidhur me këtë projektligj më 24 tetor 2003 (ATCM (2003) 025), në të cilën ai bëri vërejtjet si më poshtë:
“...Ligji aktual është në fuqi përmban vetëm dispozita themelore në lidhje me statusin e shoqërisë si një transmetues i shërbimit publik radio televiziv dhe përcakton rregullimet institucionale. Prandaj, ishte e qartë se ky ligj duhej të ndryshohet dhe të plotësohej për të krijuar një kuadër të plotë dhe të përshtatshëm ligjor për shërbimin publik të transmetimin radio televiziv në Moldavi - në përputhje me Rezolutën nr. 1 “E ardhmja e Shërbimit Publik të Transmetimit Radio Televiziv” i miratuar nga Konferenca e katërt Ministeriale Evropiane për Politikat e Media Masive (Pragë, 7-8 dhjetor 1994); Rekomandimin nr. R(96)10 i Komitetit të Ministrave të Shteteve Anëtare për Garantimin e Pavarësisë së Shërbimit Publik të Transmetimit radio televiziv, dhe Rekomandimin Rec(2003)9 të Komitetit të Ministrave të Shteteve Anëtare mbi Masat për të Nxitur Kontributin Demokratik dhe Social të Transmetimit Dixhital.
Pra, pyetja këtu është nëse ndryshimi i propozuar përmbush këtë qëllim.
PËRFUNDIME
Përveç propozimit për likuidimin e shoqërisë ekzistuese Teleradio-Moldavia dhe krijimin e një shoqërie të re me të njëjtin emër në vend të saj, ndryshimet legjislative në fjalë trajtojnë çështje relativisht të vogla. ...
Prandaj, këto ndryshime nuk mund të shihen si përpjekje për plotësimin tërësor të përpjekjeve për të rregulluar Teleradio-Moldavia, garantimin e funksionimit siç duhet, pavarësinë, autonominë dhe financimin e saj, dhe për të krijuar siguri ligjore për kompaninë. Ato ndryshojnë shumë pak në thelb, në mënyrën se si Teleradio-Moldavia vepron si një ofrues i të shërbimit publik të transmetuesit radio televiziv. ...
Sipas ndryshimeve ligjore të propozuara, plani është (i) të likuidohet shoqëria shtetërore Teleradio-Moldavia, (ii) të shkarkohet i gjithë personelin i saj, dhe (iii) të privohet nga të gjitha pasuritë (asete të cilat më pas do të transferohen tek Shoqëria e re Kombëtare e Transmetimeve Radio Televizive. Teleradio-Moldavia do jetë subjekt i një vendimi të veçantë të qeverisë dhe nuk ka afat brenda së cilit ky vendim duhet marrë). Nuk është e qartë nëse kjo do të thotë që Teleradio-Moldavia duhet të pezullojë veprimtarinë e saj dhe të ndalojë transmetimin në periudhën e ndërmjetme apo jo. Kjo del sigurisht nga fakti që stafi i saj do shkarkohet i gjithi, por ndoshta ka një plan për të vazhduar transmetimin pavarësisht këtij fakti..
Zbatimi i këtij plani do të jetë shumë shkatërrues për Teleradio-Moldavia dhe audiencën e saj. Në të njëjtën kohë, nuk është e qartë cilit qëllim thelbësor do t’i shërbejë kjo. Nuk ka asgjë në ndryshimet e propozuara, siç do të argumentojmë më poshtë, që i bën këto të domosdoshme nga pikëpamja ligjore. Për më tepër, duket se likuidimi nuk do të jetë i plotë, pasi nuk ka asnjë dispozitë për emërimin e Këshillit të ri Mbikëqyrës apo Bordit Drejtues dhe as Presidentit të ri. Nëse organet qeverisëse të organizatës mbeten, nuk bëhet fjalë për një likuidim të vërtetë, por vetëm për një shkarkim masiv të personelit nën maskën e likuidimit. ...”
70. Megjithatë ndryshimet e ligjit u miratuan nga Parlamenti më 17 tetor 2003. TRM u regjistruar në Dhomën e Regjistrimit të Shtetit si një shoqëri publike më 26 korrik 2004 dhe filloi transmetimet në bazë të statutit të ri të saj më 8 gusht 2004.
71. Më 4 tetor 2005 Asambleja Parlamentare miratoi Rezolutën 1465 (2005) për Funksionimin e Institucioneve Demokratike në Moldavi, ku bëheshin vërejtjet e mëposhtme, inter alia:
“6. ... Megjithatë, përfshirja e vërtetë e shoqërisë civile kërkon një sektor mediatik pluralist dhe dinamik, veçanërisht në lidhje me televizionin. Gjithashtu duhet të krijohen kushtet për një shërbim të vërtetë, të pavarur dhe profesional publik të transmetimit.
...
14. Asambleja, më tej u kërkon autoriteteve moldave, në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të ...
14.1.1. rishikojë legjislacionit në lidhje me shërbimit publik të transmetimit (kombëtare dhe lokale) dhe sektorin e radio televizionit në përgjithësi;
14.1.2. ndjekë transformimin e Teleradio-Moldavia në një transmetues të vërtetë të shërbimit publik, siç përcaktohet në Rekomandimin e Asamblesë 1641 (2004) për shërbim publik të transmetimin; ...”
F. Raportet në lidhje me ndikimin paligjshëm të pretenduar politik në TRM
1. Vëzhguesit nga organizatat ndër-qeveritare
72. Në janar të vitit 2004 Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës në Moldavi, raportoi si vijon lidhur me mediat në Moldavi:
“Kushtetuta e Republikës së Moldavisë garanton lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit. Megjithatë situata e medias në Moldavi është një nga fushat që paraqet shqetësim të madh për një numër të ambasadave në Kishinau, si dhe për OJQ-të. Gjatë dy viteve të fundit presioni i autoriteteve mbi median e pavarura është rritur paralelisht me mbështetjen e botimeve nga ana e Shtetit.
Situata në median elektronike është shumë e rëndësishme duke pasur parasysh se në zonat rurale, ku jetojnë rreth gjysma e popullsisë së Republikës së Moldavisë, aksesi në informacion është shumë i kufizuar. Stendat e shitjes së gazetave janë praktikisht jo-ekzistente, dhe shtypi i shkruar arrin atje me vonesa deri në një javë. Radio është burimi kryesor i informacionit.
Opozita nuk është e përfaqësuar mjaftueshëm në transmetime. Shkarkimet e gazetarëve janë bërë më të shpeshta.
• Një nga shembujt spektakolarë të censurës në TV Kombëtare ishte ndalimi i transmetimit të një debati televiziv popullor Buna Seara më 28 nëntor të vitit të kaluar në të cilën ishin ftuar liderët e grupeve parlamentare Stepaniuc, Braghis dhe Rosca, Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm dhe një funksionar i shërbimit të shtypit të Misionit të OSBE-së. Tre orë para fillimit të programit Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm u informua zyrtarisht nga kryetari RTM-së, Efremov, se debatit nuk do transmetohej pasi lideri i shumicës nuk do merrte pjesë.
• Ka një marrëveshje të përbashkët midis forcave politike që kanali TV Moldovia 1 do të transmetojë 30 minutat e para të mbledhjeve të tryezës së rrumbullakët të përhershme, pa redaktim. Ky detyrim nuk u respektua gjatë takimit të tryezës së rrumbullakët të dhjetorit me shpjegimin se paraqitja në Orën e Opozitës tri ditë më vonë ishte e mjaftueshme për javën. Lajmi rreth takimit që u transmetuar në të njëjtën ditë në mënyrë delikate shmangu shumë deklarata që përmbanin kritika ndaj autoriteteve.
• "Ora e opozitës’, e cila duket si monolog i opozitës, nuk duket të jetë shumë kontribuuese në dialogun me shumicën. Ajo që duhet është debati i vërtetë . ...”
73. Përfaqësuesi për Lirinë e Mediave i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) bëri vizitën e tij të dytë në Kishinau më 18-21 tetor 2004, me ftesë të Qeverisë. Qëllimi i udhëtimit ishte për të vlerësuar gjendjen aktuale të lirisë së medias në vend dhe t’u jepte rekomandime autoriteteve. Përfaqësuesi u takua me zyrtarë qeveritarë, parlamentarë, gazetarë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare. Më 16 dhjetor 2004 ai botoi "Vëzhgimet dhe rekomandimet" e tij, ku deklaroi inter alia:
“Zhvillime pozitive – pluralizmi ...
Ka një numër zhvillimesh të matshme lidhur me situatën e medias në Moldavi.
Në përgjithësi, pluralizmi i medias është zhvilluar shumë në Moldavi, si në aspektin e numrit të mediave dhe të pikëpamjeve të ndryshme të përfaqësuara (megjithëse diversiteti në të dy rastet është më i pranishëm në shtypin e shkruar se në mediat elektronike). Politikanët e të gjitha niveleve janë kritikuar rregullisht në media; TV dhe stacionet e radiove të pavarura, janë shumë të hapur në komentet e tyre mbi autoritetet. Ekziston edhe një debat i hapur në lidhje me zhvillimin e vetë mediave, ky debat është përshkruar nga Ministri i Jashtëm si “transparent” ...
Moldavia ishte gjithashtu një nga vendet e para në rajon e cila e transformoi transmetuesin e saj shtetëror në një shërbim të transmetimit publik.
Megjithatë, bashkëbiseduesit ranë dakord se ka pasur shumë probleme të pazgjidhura në media që nevojiten të trajtohen në të ardhmen. Disa nga të metat, siç udhëheqësi i opozitës parlamentare Braghis vuri në dukje "ishin rezultat i një demokracie në rritje." Sipas mendimit të tij, OSBE duhej të përfshihej më shumë në çështjet e medias. Ministri i Jashtëm gjithashtu deklaroi se "Moldavia ka disa mangësi në fushën e medias, por këto nuk janë të qëllimshme. Shtetet e tjera evropiane gjithashtu kanë mangësi. Ne nuk duam të marrin një rrugë të gabuar dhe kjo është arsyeja pse ne jemi mirënjohës për çdo rekomandimet që vijnë nga OSBE, si dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.’
Qëllimi i këtij raporti është që të ofrojë rekomandime të tilla në bazë të vëzhgimeve të bëra gjatë vizitës.
Situata e përgjithshme e Transmetimit
Nuk mund të ketë pluralizëm të vërtetë kur nuk ka kanale vendore konkurruese në mbarë vendin. Në këtë situatë, është i nevojshëm një tender transparent për një tjetër frekuencë kombëtare .
Aktualisht, janë vetëm tre transmetues mbarëkombëtarë në Moldavi, dhe vetëm një prej tyre - Kompania publike Teleradio-Moldavia (TRM) - është një kanal moldav në aspektin e përmbajtjes. Dy kanalet e tjera ri-transmetojnë programe nga vendet fqinje: Rumania dhe Federata Ruse.
Është e qartë se një frekuencë e katërt mbarëkombëtare ekziston, por dhënia e kësaj frekuencë u ndalua nga autoriteti licencues në vitin 2002. Tenderi për kanalin e tretë mbarëkombëtar – televizioni i cili ri-transmetonte programe nga një kanal rus - është shpallur më 15 tetor 2004, megjithatë, një tender për të katërtit nuk është ri-shpallur. Për informata shtesë mbi problemet e transparencës në licencim, shih kapitullin mbi Këshillin e Radio Televizionit.
Situata rreth TRM-së
Shumë Qeveri, pak zëra të tjerë
TRM, edhe pse i transformuar ligjërisht nga transmetuesi shtetëror në një institucion publik autonom, në realitet vazhdon të anojë nga Qeveria. Shumica e programeve politike është raportuar se janë lajme për dhe nga partia në pushtet. Në këtë situatë, kur TRM është transmetuesi i vetëm në familje në mbarë vendin, mbulimi i balancuar i ngjarjeve politike është edhe më i rëndësishëm. TRM ende duhet të respektojë angazhimet e saj si një transmetues i shërbimit publik.
Nuk kryhet monitorimi i përmbajtjes nga vetë TRM, pavarësisht nga fakti se është e përcaktuar në Ligjin e ri për Shoqërinë Publike Kombëtare të Transmetimit Radio Televiziv të Moldavisë, Teleradio-Moldavia. Shpjegimi i dhënë nga drejtuesit e TRM-së ishte mungesa e burimeve për të prodhuar kasetat e nevojshme. Por në fakt ishte Bordi Mbikëqyrës (BM), i cili të paktën duhet të ishte përpjekur për të zbatuar një monitorim të tillë. BM, duke shpjeguar mungesën e monitorimit nga ana e tyre, tha se në periudhën fillestare, kur TRM sapo kishte filluar në rrugën e saj të funksionimit publik, do të kishte qenë e gabuar që ajo të bënte monitorim.
Si rezultat, vetëm komuniteti i OJQ-ve bëri një monitorim të tillë. Përfundimet e tyre ishin kontestuar shumë nga stafi drejtues i TRM, BM, dhe zyrtarët e partisë në pushtet. Është e vërtetë se monitorimi i OJQ-ve është bërë në baza sasiore. Metoda ‘kronometër’ është pa dyshim një metode e cila sjell rezultate të papërpunuara, dhe nuk mund të zbulojë nuancat e programimit. Megjithatë, kjo metodë është mjaft e mirë, dhe rezultatet kanë dëshmuar mjaftueshëm se mbulimi lajmeve në TRM, qysh prej transformimit, ishte disproporcional në favor të Qeverisë dhe për Qeverinë.
Mosmarrëveshjet e punës
Drejtuesit e TRM-së dhe CADUP, që përfaqëson gazetarët të cilët nuk ishin pas procesit të transformimit nga kompani shtetërore në transmetues publik duhet të arrijnë një kompromis përmes negociatave.
Përfaqësuesi i OSBE-së dhe stafi i tij kishin pasur disa takime me drejtuesit e TRM-së dhe me përfaqësuesit e ish gazetarëve të TRM-së të cilët nuk ishin ri-punësuar pas transformimit të saj nga një kompani shtetërore në një transmetues publik. Alexander Ivanko vëzhgoi punën e Komitetit të Pajtimit të Teleradio-Moldavia që ishte krijuar për t’u marrë me këto mosmarrëveshje të punës.
Historiku
Në shkurt 2002 grevat dhe protestat kundër censurës së pretenduar në TRM, të mbështetur nga më shumë se 300 punonjës të TRM-së filluan një debat në Moldavi për nevojën e transformimit të TRM-së në një transmetues publik. Korniza ligjore e nevojshme u krijua nën udhëzimet e Këshillit të Evropës.
Ligji për Kompaninë Kombëtare Publike të Transmetimit Radio Televiziv, Teleradio-Moldavia u miratua nga Parlamenti më 26 korrik 2002. Ligji u rishikua më 13 mars 2003, pasi ishte kritikuar nga Këshilli i Evropës. Më 13 nëntor 2003 Ligji u ndryshua përsëri, këtë herë me qëllim likuidimin e transmetuesit të mëparshëm shtetëror. Kjo do të thotë se shoqëria e sapo krijuar publike nuk ishte e detyruar për të punësuar të gjithë personelin e transmetuesi shtetëror. Sipas disa burimeve, personeli i TRM-së kishte pasur frikë se, gjatë procesit të përzgjedhjes do të pushoheshin ata punonjës të cilët kishin qenë më aktive gjatë protestave të shkurtit 2002 dhe që kishin bërë fushatë për transformimin e TRM në një transmetues të pavarur publik.
Më 30 prill 2004 u krijua një komision i përbërë nga tre anëtarë të propozuar nga Këshilli Administrativ, tre anëtarë të propozuar nga Këshilli Mbikëqyrës dhe një anëtar i zgjedhur nga stafi i TRM-së. Komisioni përzgjodhi stafin e ri me 7 gusht 2004.
907 personave iu ofruan kontrata, 890 i nënshkruan ato. 140 pozicione janë ende bosh. Për këtë arsye, Komisioni i Përzgjedhjes nuk e ka përfunduar punën e tij. Përafërsisht 190 anëtarë të stafit u pushuan nga puna.
Pasi u bënë publike rezultatet e përzgjedhjes për departamentet e lajmeve më 27 korrik, pakënaqësitë e punonjësve të TRM-së mbi mënyrën se si procesi u zhvillua, çuan në protesta publike. Më 27 korrik disa prej të punësuarve të TRM-së themeluan Komitetin për Mbrojtjen e Dinjitetit Njerëzor dhe Profesional dhe pushtuan dhomën në të cilën Komisioni i Përzgjedhjes kishte mbajtur mbledhjet e tij. Në përgjigje, drejtuesit e TRM-së pezulluan kontratat e 19 punonjësve dhe më 30 korrik policia largoi protestuesit nga ndërtesa.
Këto demonstrata, të cilave në një pikë iu bashkuan mijëra njerëz, filluan në shenjë proteste kundër rezultateve të procesit të përzgjedhjes. Kërkesa kryesore ishte përsëritja e procesit. Kjo kërkesë më pas u ndryshua në “të rikthehet situata para procedurës së përzgjedhjes”. Kërkesa e modifikuar mund të përmbushej teorikisht pa një ripërsëritje të procesit, duke iu ofruar kontrata të gjithë 190 punonjësve të pushuar nga puna.
Të gjithë bashkëbiseduesit u pajtuan se gjendja e TRM-së ishte çështja më urgjente lidhur me mediat në vend. Të gjithë pajtohen se mënyra e vetme për të vazhduar ishte përmes një procesi negociues. Ministri i Jashtëm Stratan deklaroi: "Ne duam që transformimi i TRM-së të bëhet në një mënyrë demokratike." Megjithatë, disa pyetje duhet të ngrihen.
I tërë procesi përzgjedhës duket të jetë dëmtuar nga mungesa e të kuptuarit të kërkesave të një procesi të tillë. Edhe pse është e qartë se disa punonjës ndoshta duhet të largoheshin, kriteret e përzgjedhjes nuk ishin të përcaktuara qartë, dhe përzgjedhja vetë nuk ishte transparente. Akuzat e favorizimit partiak, nuk mund të hidhen poshtë duke mbajtur parasysh mungesën e transparencës së procesit të përzgjedhjes.
Qëndrimi i drejtuesve të TRM-së, të paktën në fillim, nuk kishte qenë konstruktiv dhe çoi në protesta masive dhe një bllokim që nuk është zgjidhur ende.
Nga ana tjetër, CADUP, i formuar fillimisht për të mbrojtur të drejtat e personelit të pushuar nga puna, filloi të paraqiste kërkesa politike përveç kërkesave të fillimit që lidheshin me situatën e punësimit në TRM.
Në këtë situatë, Përfaqësuesi i OSBE-së, së bashku me shefin e Misionit të OSBE-së në Moldavi dhe Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës i sugjeruan Komitetit të Pajtimit të lartpërmendur se duhej të krijohej një Komision i ri Përzgjedhës në bazë të formulës vijuese:
- Dy anëtarë të Komisionit Përzgjedhës të emërohen nga administrata e Teleradio-Moldavia;
- Dy anëtarë të Komisionit të emërohen nga CADUP;
- Tre anëtarë të Komisionit të emërohen me konsensus nga Komisioni i Pajtimit. Nga ana tjetër, një prej këtyre tre anëtarëve mund të jetë një ekspert i huaj, i deleguar nga OSBE-ja apo nga Këshilli i Evropës.
Kjo çështje ende tani që po shkruaj, është në pritje. Komisioni i Pajtimit në TRM mbajti vetëm dy takime në nëntor. Në të dy sesionet komisioni diskutoi propozimin e përbashkët mbi një Komision Përzgjedhës të ri, të parashtruar si kërkesë më 21 tetor nga Zyra e Përfaqësuesit, Misioni i OSBE-së dhe Këshillit të Evropës. Komisioni nuk arriti të merrte një vendim lidhur me këtë propozim të përbashkët. Duke iu referuar mungesës së progresit në punën e Komisionit dhe pas akuzave kundrejt drejtuesve të TRM-së se po ‘nuk kanë realisht një qëllim për dialog’ përfaqësuesit e gazetarëve protestues u tërhoqën nga Komisioni i Pajtimit më 25 nëntor.
Bordi Mbikëqyrës i TRM-së [i përmendur diku tjetër në këtë vendim si Këshilli Mbikëqyrës: shih paragrafin 65 më lart]
Edhe pse në teori shumica e Bordi Mbikëqyrës të tanishëm të TRM-së (BM), përbëhet nga shoqëria civile, ai nuk përfaqëson të gjithë spektrin e pikëpamjeve mbizotëruese në shoqëri, dhe në fakt lejon ndërhyrjet politike. Ligji aktual duhet të ndryshohet për të lejuar një përbërje të ndryshme të BM.
Disa parlamentarë të opozitës, gazetarë dhe OJQ u ankuan për përbërjen aktuale të BM, që përfshin dy përfaqësues nga Parlamenti (një nga opozita), dy nga Qeveria, dy të emëruar nga Presidenti, dhe nëntë nga organizata të ndryshme. Megjithatë, Presidenti, Qeveria dhe Parlamenti janë të kontrolluara nga njëra parti, dhe kështu janë edhe shumica e organizatave qytetare të përfaqësuara në bord.
Udhëheqësi i Grupit të Partisë Komuniste Viktor Stepaniuc pranoi se jo e gjitha shoqëria civile përfaqësohej në bord, por vetëm “organizatat kryesore qytetare“, çka lë të hapur çështjen se cilat ishin këto, dhe më e rëndësishmja, si përcaktohej një organizatë “kryesore”. Në një klimë mjaft të politizuar një BM shumë i politizuar minon besueshmërinë ndaj transmetuesit publik. Një nga propozimet që vijnë nga Braghis, lideri i opozitës, është që BM të përbëhet nga 12 anëtare, gjashtë anëtar nga partia në pushtet dhe gjashtë nga opozita, dhe Bordi të punojnë në mënyrë rigoroze mbi baza konsensusi.
Edhe pse kjo ide mund të tingëllojë tërheqëse ajo mund të çojë në një bllokim të punës, ku BM nuk do të jetë në gjendje të bie dakord mbi asgjë duke lënë menaxhimin TRM-së pa mbikëqyrje.
OSBE-ja dhe Këshilli i Evropës duhen inkurajuar për të dalë me një propozim për strukturën e BM, që do të ketë aprovimin e të gjitha partive politike në Moldavi. Disa propozime, veçanërisht të përgatitur nga Shoqata e Medias Elektronike (APEL), duhet të analizohen me kujdes.
Këshilli Koordinues i Radio Televizionit
Shpallja e tenderëve për ndarjen e frekuencave njoftohen në një kohë shumë të shkurtër, duke mos u dhënë në këtë mënyrë kohë të mjaftueshme aplikantëve të mundshëm për të përgatitur të gjitha dokumentet e nevojshme. Përbërja e Këshillit nuk garanton objektivitetin e tij. Gjithashtu, ekziston një mungesë e transparencës në procesin e vendim-marrjes lidhur me ndarjen e frekuencave.
Ankesat për njëanshmëri politike në caktimin e frekuencave nuk mund të vërtetohen, por duke i shqyrtuar këto ankesa, Përfaqësuesi konstatoi se procesi lejon subjektivitet në vlerësimin dhe votimin në tenderat për ndarjen e frekuencave.
Licencat e transmetimit jepen nga Këshilli. Në një sistem që mund të përshkruhet si "dy koka", frekuencat aktuale që do të përdoren nga të licencuarit i jepen Këshillit nga Ministria e Komunikacioneve. Siç tha një zyrtar i lartë: “Ne nuk e dimë se kur mund t’i disponojmë këto frekuenca”.
Këshilli, i cili përbëhet nga nëntë anëtarë, të emëruar përkatësisht nga Qeveria, Presidenti, dhe Parlamentit. Në një situatë si kjo e sotmja, kur pjesa më e madhe e të gjitha degëve ekzekutive dhe legjislative janë të kontrolluara nga një parti, ky sistem çon në kontrollin politik tërësor të Këshillit. Bashkëbiseduesit paraqitën pasiguri lidhur me objektivitetin e Këshillit në dhënien e licencave të transmetimit.
Gjithashtu duhet të theksohet se tenderi për kanalin shumë të rëndësishëm të katërt mbarëkombëtar nuk u rihap dhe për disa vite nuk kishte absolutisht asnjë lëvizje për këtë çështje. Nga ana tjetër, tenderi për rrjetin e tretë mbarëkombëtar, licenca e të cilave po mbaron, ishte lajmëruar 45 ditë para, dhe ishte botuar një lajmërimi i vogël vetëm në tre gazeta.
Për të siguruar pavarësinë e Këshillit, procedura zgjedhore nuk duhet të jetë politikisht e orientuar, dhe duhet të përqendrohet në anëtarësimin e individëve të cilët janë ekspertë me reputacion në fushën e transmetimeve.
Metoda e ndarjes së frekuencave duhet ndryshuar. Vetëm një organizëm duhet të bëjë si krijimin edhe ndarjen e frekuencave. Kjo do të përmirësojë sistemin aktual me “dy koka”, ku Këshilli është në mëshirën e Ministrisë, duke mos ditur kur (dhe pse) një frekuencë mund të ofrohet për tenderim. ...
Rekomandime
...
· Nuk mund të ketë pluralizëm të vërtetë kur nuk ka kanale konkurruese mbarëkombëtare vendase. Në këtë situatë, një tender transparent është i nevojshëm për një tjetër frekuencë mbarëkombëtare.
· TRM, edhe pse ligjërisht është transformuar nga transmetues shtetëror në një institucion autonom publik, në realitet vazhdon të anojë drejt Qeverisë. Shumica e programeve politike transmetojnë lajme mbi dhe nga partia në pushtet. Në këtë situatë, kur TRM është transmetuesi i vetëm në familjet në mbarë vendin, mbulimi i balancuar i ngjarjeve politike është edhe më i rëndësishëm. TRM ende duhet t’i përmbahet angazhimeve të saj si një transmetues publik.
· Drejtuesit e TRM-së dhe CADUP, që përfaqëson gazetarët të cilët nuk u punësuan gjatë procesit të transformimit nga transmetues shtetëror në publik, duhet të bien arrijnë një kompromis përmes negociatave.
· Një komisioni i ri përzgjedhës duhet të krijohet.
· Edhe pse në teori shumica e Bordi Mbikëqyrës të tanishëm të TRM-së (BM), është e përbërë nga shoqëria civile, kjo nuk përfaqëson të gjithë spektrin e pikëpamjeve mbizotëruese në shoqëri, dhe në fakt lejon ndërhyrjet politike. Ligji aktual duhet të ndryshohet për të lejuar një përbërje të ndryshme të BM.
· Shpallja e tenderëve për ndarjen e frekuencave njoftohen në një kohë shumë të shkurtër, duke mos u dhënë në këtë mënyrë kohë të mjaftueshme aplikantëve potencialë për të përgatitur të gjitha dokumentet e nevojshme. Përbërja e Këshillit nuk garanton objektivitetin e tij. Gjithashtu, ekziston një mungesë e transparencës në procesin e vendim-marrjes lidhur me ndarjen e frekuencave. ...”
74. Pothuajse në të njëjtën kohë OSBE dhe Këshilli i Evropës publikuan së bashku ... "Standardet për funksionimin e transmetuesit publik në Republikën e Moldavisë”:
...
75. Më 12 Maj 2004 Komisioni Evropian publikoi "Raportin mbi Politikën e Fqinjësisë Evropiane" në lidhje me Moldavinë (SEC (2004) 567), i cili nxirrte disa përfundimeve në lidhje me, inter alia, demokracinë dhe të drejtat e njeriut në vend. Raporti vuri në dukje shqetësimin e vëzhguesve të OSBE gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2003 "në lidhje me njëanshmërinë e qartë të transmetuesit televiziv shtetëror në favor të autoriteteve të cilët ishin në detyrë në atë kohë”.
...
2. Organizatat joqeveritare
76. Qendra e Gazetarisë së Pavarur (IJC) është një organizatë jo-qeveritare me seli në Kishinau dhe ka për mision të mbështesë gazetarinë profesionale në Moldavi dhe të kontribuojë në konsolidimin e një shtypi të pavarur dhe të paanshëm. Ajo u krijua në vitin 1994 si një projekt i Shtëpisë së Botës së Hapur dhe u bë e pavarur në vitin 1998. Ajo është financuar, inter alia, nga Fondacioni Soros.
77. IJC monitoronte programet e TRM-së ndërmjet qershorit 2004 dhe tetorit 2005. Sipas raportit të saj të monitorimit për gushtin 2004, asnjë përfaqësues nga Partia Popullore Demokristiane, e cila ishte në atë kohë një prej dy partive të opozitës parlamentare, nuk u shfaq në programet politike televizive të TRM-së gjatë atij muaji dhe një tjetër parti parlamentare opozitare, "Moldavia Democrată", u shfaq vetëm një herë për 95 sekonda. Ndërkohë, Partia Komuniste u shfaq shtatë herë me një kohëzgjatje totale prej 889 sekonda. Modele të ngjashme janë raportuar në shtator, tetor dhe nëntor të vitit 2004. Në raportin e publikuar në dhjetor të vitit 2004, IJC vërejti se, në televizion, Qeveria dhe përfaqësuesit e tyre ishin përmendur 32 herë në ditë mesatarisht, ndërsa opozita mesatarisht dy herë në ditë. Në programet e radios së TRM-së, Qeveria ishte përmendur mesatarisht 109 herë në ditë dhe opozita 0,7 herë në ditë.
78. Në një raport të titulluar "Nga Shtetëror në Publik: Transmetime të vërteta Publike në Bjellorusi, Moldavi dhe Ukrainë?" (dhjetor 2005), “Neni 19”, një organizatë ndërkombëtare joqeveritare me seli në Londër, e cila trajtonte çështjet e lidhura me lirinë e shprehjes, kishte konkluduar si vijon (fusnotat janë hequr):
“3.1. Vështrim i përgjithshëm
Moldavia është vendi i parë i Bashkësisë së Shteteve të Pavarura (CIS) e cila nisi procesin e krijimit të shërbimit publik të transmetimit (PSB). Ajo është edhe aktualisht e vetmja nga tre vendet që e kanë transformuar shoqërinë shtetërore të transmetimit Teleradio-Moldavia (TRM), në një organizëm publik të transmetimit (PSBO). Megjithatë, ndërsa PSB ekziston në teori, në praktikë shoqëria e re e transmetimit mbetet vetëm teorikisht e pavarur nga kontrolli i Qeverisë, pasi programacioni vazhdon të jetë i njëanshëm në favor të regjimit politik ekzistues. Në përgjithësi, ajo nuk arrin t’u japë shikuesve dhe dëgjuesve informata të sakta dhe objektive dhe një pluralizëm pikëpamjesh dhe mendimesh. Konsolidimi i një strukture të mirëfilltë të PSB do të varet nga aftësia dhe vullneti i autoriteteve për të zbatuar plotësisht dispozitat e sapo-miratuara, si dhe nga suksesi i përpjekjeve të shoqërisë civile.
...
Pavarësisht ndryshimeve, TRM është ende nën ndikimin e autoriteteve. Përveç kësaj, cilësia e programeve ka qenë mjaft e ulët që prej transformimit. Ekziston një nevojë për fonde shtesë, për të trajnuar punonjësit dhe për të rritur standardet e gazetarisë profesionale.
Një tjetër fakt shqetësues është se ka pasur një ulje progresive në diversitetin e prodhimeve mediatike. ...
E DREJTA
I. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIT 10 TË KONVENTËS
79. Kërkuesit pretenduan se, gjatë punës së tyre si gazetarë në TRM, ata iu nënshtruan një regjimi censure të vendosur nga autoritetet shtetërore nëpërmjet drejtuesve të lartë të TRM-së, në kundërshtim me nenin 10 të Konventës. Neni 10 parashikon :
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë. Ky nen nuk i ndalon Shtetet që t’u kërkojnë sipërmarrjeve të transmetimit, televizive ose kinematografike të pajisen me licencë.
2. Ushtrimi i këtyre lirive që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet atyre formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor.”
Qeveria e mohoi këtë pretendim dhe e kundërshtoi duke pohuar se gjithsesi, kërkuesit nuk kishin shteruar mjetet e brendshme.
A. Shtrirja kohore e çështjes
80. Për qëllimet e gjykimit, Gjykata ka konsideruar periudhën që fillon në shkurt të vitit 2001, kur kërkuesit pretendonin se problemi i kontrollit politik mbi politikën editoriale në TRM u bë akut (shih paragrafin 18 më sipër), dhe përfundon në datën e vendimit të Gjykatës mbi pranueshmërinë, 26 shtator 2006.
B. Kundërshtimet paraprake të Qeverisë
1. Parashtrimet e palëve
81. Qeveria kundërshtoi duke pohuar se, kërkuesit nuk i kishin shteruar mjetet juridike në dispozicion të tyre sipas së drejtës kombëtare, siç kërkohet nga neni 35 § 1 të Konventës. Në veçanti, ata parashtruan se kërkuesit mund t’u drejtoheshin gjykatave kombëtare në lidhje me shkeljen e pretenduar të së drejtës së tyre për lirinë e shprehjes, duke u mbështetur në dispozitat e nenit 20 të Kushtetutës (shih paragrafin 56 më sipër), nenet 2 § 3, 3, 6 të Ligjit për Transmetimet Radio Televizive (shih paragrafin 57 më lart) dhe dispozitat e ligjit nr. 1320 (shih paragrafin 65 më lart). Qeveria nuk ishin në gjendje të përmendte ndonjë çështje të ngjashme të shqyrtuar më parë nga gjykatat e brendshme, për shkak se Republika e Moldavisë nuk kishte pasur kohë të mjaftueshme për të zhvilluar ndonjë precedent në këtë fushë. Megjithatë, nëse një kërkesë e tillë do të ishte paraqitur, me siguri do të ishte shqyrtuar në themel. Në parashtrimet e Qeverisë thuhej gjithashtu se kërkuesit kishin pasur mundësinë që t’i drejtoheshin edhe Këshillit Mbikëqyrës të TRM-së, i cili, sipas nenit 20 të ligjit nr. 1320-XV (shih paragrafin 65 më sipër), ishte kompetent për të kontrolluar përputhshmërinë e aktivitetit të TRM-së me rregulloret saj të brendshme dhe me legjislacionin në përgjithësi. Në alternativë, kërkuesit mund t’i ishin drejtuar KKRT.
82. Kërkuesit pretendonin se ka pasur një praktikë administrative të censurës dhe të kontrollit politik në TRM dhe se kjo i çlironte ata nga detyrimi për shterimin e mjeteve të brendshme juridike. Në alternativë, ata pretendonin se nuk ka pasur mjete efektive në nivel kombëtar. Nuk do të kishte qenë e mundur paraqitja e kërkesave të tyre para gjykatave vendase. Edhe pse teorikisht një gjyqtar kombëtar mund të vendosë në lidhje me një shembull të vetëm të censurës së pretenduar, nuk kishte asnjë mjet juridik sipas së drejtës së brendshme e aftë për të adresuar mungesën e pavarësisë strukturore të TRM-së nga qeveria apo e aftë për të parandaluar raste të ardhshme të censurës. KKRT përbëhej nga nëntë anëtarë, tre prej të cilëve ishin emëruar nga Parlamenti, tre nga Qeveria dhe tre nga Presidenti i Moldavisë, çka nuk e bënte atë një organ të pavarur. Ai kishte shqyrtuar çështjen e censurës në TRM në raportin e tij të 29 prillit 2004 (shih paragrafin 41 më lart). Ndërsa kërkuesit i paraqitën atij të gjitha aktet e supozuara të veçanta të censurës të parashtruara edhe në kërkesën e tyre drejtuar Gjykatës, asnjë prej këtyre akuzave nuk u shqyrtua në raportin i cili u kufizua vetëm në një konkluzion të përgjithshëm se nuk kishte censurë në TRM. Së fundi, Këshilli Mbikëqyrës ishte një organ i Shoqërisë Publike të sapo krijuar, i cili e filloi aktivitetin e tij vetëm në gusht të vitit 2004 dhe nuk kishte qenë kështu në gjendje të shqyrtonte pretendimet e kërkuesve, kur ndodhën ngjarjet e parashtruara në kërkesë.
2. Vlerësimi i Gjykatës
83. Gjykata rikujton se parimi që një kërkues duhet së pari të shterojë mjetet e ofruara nga sistemi ligjor kombëtar para se t’i drejtohet një gjykate ndërkombëtare është një aspekt i rëndësishëm i sistemit të mbrojtjes së përcaktuar nga Konventa (shih Akdivar dhe të tjerët kundër Turqisë, 16 shtator 1996, § 65, 1996-IV). Gjykata synon të ketë vetëm një rol subsidiar ndaj sistemeve kombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe është me vend që gjykatat kombëtare fillimisht të kenë mundësinë për të vendosur mbi çështjet që lidhen me pajtueshmërinë e së drejtës së brendshme me Konventën dhe nëse një kërkesë më pas sillet në Strasburg, Gjykata Evropiane duhet të ketë mundësinë e shqyrtimit të qëndrimeve të gjykatave kombëtare, të cilat janë në kontakt të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm me autoritetet e vendeve të tyre (shih Burden kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 13378/05, § 42 , 29 prill 2008.
84. Sipas nenit 35 § 1 të Konventës një kërkues duhet të shterojë mjetet juridike të cilat janë në dispozicion dhe të mjaftueshme për të vënien në vend të së drejtës që pretendohet të jetë shkelur. Ekzistenca e mjeteve juridike në fjalë duhet të jetë mjaftueshmërisht e sigurt jo vetëm në teori, por edhe në praktikë, pasi ndryshe do t’u mungojë aksesi dhe efektiviteti i kërkuar (Akdivar dhe të Tjerë, cituar më lart, § 66). Barra e provës bie mbi Qeverinë; është ajo që duhet të tregojë para Gjykatës se mjetet ishin efektive, të disponueshme jo vetëm në teori por edhe në praktikë në kohën përkatëse, që do të thotë, se ishin të aksesueshme, gjithashtu të afta për të vënë në vend të drejtat që kërkuesit pretendonin se ishin shkelur dhe të ofrojë mundësi të arsyeshme suksesi. Pasi Qeveria të arrinte të vërtetonte sa më sipër para Gjykatës, ishte kërkuesi ai i cili duhet të tregonte se mjetet e vëna në dispozicion nga Qeveria në fakt ishin shteruar, apo për disa arsye ishin të pamjaftueshme dhe joefektive në rrethanat e veçanta të rastit, apo që ekzistonin rrethana të veçanta që e çlironin atë nga ky detyrim (Akdivar dhe të Tjerë, cituar më lart, § 68).
85. Rregulli i “shterimit” të mjeteve ligjore, megjithatë, nuk zbatohej kur del se një praktikë administrative, domethënë një përsëritje të akteve të papajtueshme me Konventën dhe një tolerancë zyrtare nga ana e autoriteteve shtetërore, ekzistonte dhe ishte e një natyre të tillë që i bënte procedurat të kota dhe të paefektshme (shih Irlanda kundër Mbretërisë së Bashkuar, 18 janar 1978, § 159, Seria A nr. 25; Akdivar dhe të Tjerë, cituar më lart, §§ 66-67; Danimarka kundër Turqisë (dec.), nr. 34382/97, 8 qershor 1999 ; Qipro kundër Turqisë [GC], nr. 25781/94, § 99, ECHR 2001-IV). Në Caraher kundër Mbretërisë së Bashkuar (dec.), nr. 24520/94, ECHR 2000-I, Gjykata e ka përmbledhur jurisprudencën lidhur me nocionin e një "praktikë administrative", si më poshtë:
“Në Çështjen e Parë Greke (Yearbook 11 p.770), Komisioni identifikoi dy elemente të nevojshme për ekzistencën e një praktikë administrative: një përsëritje e akteve dhe tolerancën zyrtare. Përsëritja e akteve i referohej një numri të konsiderueshëm të akteve të cilat lidheshin në një farë mënyre nga rrethanat e tyre (p.sh. koha dhe vendi, apo qëndrimi i personave të përfshirë), dhe të cilat nuk ishin thjesht disa akte të izoluara. Gjykata ka deklaruar se një praktikë e papajtueshme me Konventën përbëhet nga një akumulim të shkeljeve identike ose analoge të cilat janë të shumta dhe të ndër-lidhura duke mos qenë kështu incidente të izoluara apo përjashtime, por modele apo sisteme (Irlanda kundër Mbretërisë së Bashkuar, vendim i 18 janarit 1978, Seria A nr. 25, f. 64, § 159). Me tolerancë zyrtare kuptohet që, edhe pse janë akte haptazi të paligjshme, ato tolerohen në kuptimin që eprorët e atyre që janë përgjegjës, megjithëse në dijeni të veprave, nuk marrin asnjë masë ndëshkuese ndaj tyre apo për të parandaluar përsëritjen e tyre; apo një autoritet i lartë, i gjendur përballë akuzave të shumta, manifeston indiferencë duke refuzuar çdo hetim të nevojshëm për të provuar vërtetësinë apo falsitetin e tyre; apo në procedurat gjyqësore mohohet e drejta për t’u dëgjuar drejtësisht në një seance gjyqësore (mutatis mutandis, kërkesa nr. 9940-9944/82, Franca, Norvegjia, Danimarka , Suedia dhe Holanda kundër Turqisë, dec. 6.12.83, DR 35 f. 143 në p. 163, § 19). Megjithatë, mund të vihet në dukje se një praktikë mund të haset edhe aty ku nuk ka tolerancë zyrtare në nivelet më të larta zyrtare, madje edhe kur disa veprime janë ndjekur penalisht, pasi autoritetet më të larta janë përgjegjëse për të ndërmarrë hapa efektive për t’i dhënë fund përsëritjes së akteve (shih p.sh. vendimin Irlanda kundër Mbretërisë së Bashkuar, op. cit., § 159)”.
86. Gjykata rikujton se në vendimin e saj mbi pranueshmërinë në 26 shtator 2006 vërejti se kishte një lidhje të ngushtë ndërmjet kundërshtimeve paraprake të Qeverisë dhe themelit të kërkesës së paraqitur nga kërkuesit në bazë të nenit 10 dhe kështu ia bashkoi kundërshtimet e Qeverisë shqyrtimit të themelit të çështjes.
87. Kështu, Gjykata do të shqyrtojë themelin e kërkesës dhe pastaj do vlerësojë nëse, në të gjitha rrethanat, kundërshtimi paraprak i Qeverisë ishte i mirë mbështetur .
C. Themeli
1. Parashtrimet e palëve
(a) Qeveria
88. Qeveria theksoi TRM ishte kanal televiziv më i ndjekur në vend dhe se lajmet e mbrëmjes ishin programi më popullor (shih paragrafin 8 më sipër). Kjo tregonte se popullsia e Moldavisë besonte se TRM ishte një kanal televiziv i pavarur, i paanshëm dhe objektiv.
89. Qeveria mohonte se ka pasur censurë në TRM. Ata hodhën poshtë pretendimet se kishte pasur një "listë të zezë" të individëve apo temave të cilat nuk mund të paraqiteshin dhe pohoi se politikanët e opozitës kishin akses tek publiku nëpërmjet TRM-së, siç tregohet nga një numër programesh të listuar në Guides TV (shih paragrafin 26 më lart ).
90. Qeveria u mbështet në përfundimet e KKRT në raportin e tij të 29 prillit 2002 (shih paragrafin 41 më lart). Siç KKRT kishte vërejtur, kërkuesit kishin keqinterpretuar nocionin e lirisë së shprehjes. Ata e kuptonin atë si një carte blanche për të thënë çdo gjë që ata dëshironin në programet e lajmeve, në mospërfillje të normave ligjore apo morale dhe në shkelje të përgjegjësisë së tyre, si gazetarë që punojnë për transmetuesin e vetëm kombëtar në atë kohë, për të siguruar objektivitet dhe shërbim të paanshëm, pa paragjykime politike.
91. Qeveria deklaroi se protesta e Komitetit të Grevës nuk ishte mbështetur nga Sindikata e TRM-së dhe as nga një numër i anëtarëve të stafit. Sanksionet e marra kundrejt Dini Rusnac dhe Larisa Manole kishin qenë plotësisht të justifikuara, për shkak të shkeljeve prej tyre të rregulloreve të brendshme, të tilla si modifikimi i buletinit të lajmeve pa autorizim paraprak. Disa prej kërkuesve, domethënë Mircea Surdu, Ludmila Vasilache, Leonid Melnic dhe Diana Donică, vazhdonin të ishin të punësuar në TRM.
(b) Kërkuesit
92. Kërkuesit pohuan se e drejta kombëtare nuk ofronte mbrojtje të mjaftueshme kundër censurës apo ndikimit të panevojshëm politik. Kështu, as legjislacioni kombëtar e as rregulloret e brendshme të TRM-së nuk përcaktonin konceptin e "politikës editoriale". Ata pretenduan se Shteti nuk kishte shlyer detyrimet e tij pozitive sipas nenit 10, sepse nuk kishte adaptuar një legjislacion i cili do të ofronte mbrojtje kundër ndërhyrjeve abuzive nga autoritetet publike dhe do të përcaktonte qartë shtrirjen dhe kufijtë e diskrecionit që gëzonin këto autoritete. Për më tepër, Parlamenti, duke refuzuar të ndryshonte ligjin nr. 1320-XV sipas rekomandimeve të Këshillit të Evropës, kishte ruajtur kontrollin e Shtetit mbi Shoqërinë Publike, çka ishte pikërisht dhe shkaku i censurës. Me këto veprime dhe mosveprime Shteti kishte shkelur gjithashtu të drejtën e popullatës për t’u informuar. Asambleja Parlamentare dhe raportet e ekspertëve ndërkombëtarë mbështesnin pikëpamjen se legjislacioni kombëtar nuk ishte i kënaqshëm në atë që i jepte kontroll të përgjithshëm mbi TRM-në Qeverisë dhe nuk ofronte mbrojtje adekuate të pavarësisë.
93. Kërkuesit argumentuan se sondazhet të cilave iu referua Qeveria, sipas të cilit TRM ishte kanal televiziv më i shikuar në Moldavi, nuk ishte tregues i cilësisë së programeve të saj, por i mungesës së burimeve alternative të informacionit. Ata u bazuan në raportet e monitorimit të IJC (shih paragrafin 77 më lart) dhe vëzhgimet e një numri të komentuesve ndërkombëtare (shih paragrafët 72-75 më lart) në mbështetje të pohimeve të tyre se programimit në TRM ishte i njëanshëm në favor të partisë në pushtet. Shembujt e dhënë nga Qeveria të programeve në të cilët politikanët e opozitës kishin marrë pjesë ishin përjashtime nga rregulli i përgjithshëm. Edhe KKRT kishte pranuar në raportin e tij të 29 prill 2002 që tema ose shprehje të caktuara, si "Bessarabia, rumune, gjuha rumune, historia rumune, apo regjim totalitar" ndaloheshin përveçse në një kontekst historik.
94. Para vitit 2002, nuk kishte pasur rregullore të brendshme në lidhje me mënyrën e punësimit dhe shkarkimit të Drejtorit të Programit, drejtuesit e departamenteve apo producentëve. Presidenti i TRM-së mund t’i pushonte ata në çdo kohë. Për më tepër, nuk kishte pasur rregullore për ngritjen e këshillit artistik dhe teknik i cili vlerësonte cilësinë e prodhimeve radio- televizive. Procedura e re e rekrutimit e aplikuar në vitin 2004 u konsiderua nga ekspertët e Këshillit të Evropës si jo transparente dhe se i mungonte qartësia për modalitetet e punësimit ose ri-punësimin të anëtarëve të stafit. Gjykatat e brendshme nuk ju ofronin asnjë mjet kërkuesve të cilët kishin humbur punën e tyre.
2. Vlerësimi i Gjykatës
(a) Parimet e përgjithshme në lidhje me pluralizmin në median audiovizuale
95. Në përcaktimin nëse kishte pajtueshmëri me nenin 10 në rastin konkret, Gjykata duhet të ketë parasysh parimet e mëposhtme. Ajo merr si pikënisje parimin themelor: nuk mund të ketë demokraci pa pluralizëm. Një nga karakteristikat kryesore të demokracisë është mundësia që ajo ofron për zgjidhjen e problemeve të një vendi nëpërmjet dialogut, pa dhunë, madje edhe kur ato janë problematike. Demokracia lulëzon mbi lirinë e shprehjes. Thelbi i demokracisë është lejimi i programeve të ndryshme politike për t’u propozuar dhe debatuar, madje edhe ato që vënë në dyshim mënyra se si një Shtet aktualisht është i organizuar, me kusht që ato të mos dëmtojnë vetë demokracinë (shih Partinë Socialiste dhe të Tjerët kundër Turqisë, 1998, §§ 41, 45 dhe 47, Raportet e Vendimeve 1998-III).
96. Liria e shprehjes, e garantuar nga nenin 10 § 1, përbën një nga themelet bazë të një shoqërie demokratike dhe një nga kushtet bazë për progresin e saj (Lingens kundër Austrisë, 8 korrik 1986, § 41, Seria A nr. 103 ). Liria e shtypit dhe mediave të tjera i ofron publikut një nga mjetet më të mira për të zbuluar dhe formuar një opinion lidhur me idetë dhe qëndrimet e udhëheqësve politikë. Është detyrë e shtypit të japë informacione dhe ide mbi çështjet politike dhe çështje të tjera të interesit publik. Jo vetëm shtypi ka detyrimin të japë informacione dhe ide të tilla por gjithashtu publiku ka të drejtën për t’i marrë ato (shih, për shembull, Handyside kundër Mbretërisë së Bashkuar, § 49, 7 dhjetor 1976, Seria A nr. 24; Lingens, cituar më sipër, §§ 41-42
97. Mediat audiovizive, të tilla si radio dhe televizioni, kanë një rol veçanërisht të rëndësishëm në këtë drejtim. Për shkak të fuqisë së tyre për të përcjellë mesazhe përmes zërit dhe imazheve, media të tilla kanë një efekt më të menjëhershëm dhe të fuqishëm se media e shkruar (Jersild kundër Danimarkës, 23 shtator 1994, § 31, Seria A nr. 298; Pedersen dhe Baadsgaard kundër Danimarkës [GC ], nr. 49017/99, § 79, ECHR 2004-XI). Funksioni i televizionit dhe radios, si burime kryesore të argëtimit intim të dëgjuesve ose të shikuesve, përforcon më tej ndikimin e tyre (cf. Murphy kundër Irlandës, nr. 44179/98, § 74, ECHR 2003-IX (ekstrakte)). Për më tepër, veçanërisht në rajonet e largëta, televizioni dhe radio mund të arrijnë më lehtë se mediat e tjera.
98. Një situatë ku një grup i fuqishëm ekonomik ose politik në një shoqëri lejohet për të marrë një pozicion dominues mbi mediat audiovizive dhe në këtë mënyrë të ushtrojë presion mbi transmetuesit duke zvogëluar lirinë e tyre editoriale, minon rolin themelor të lirisë së shprehjes në një shoqëri demokratike, të sanksionuar në nenin 10 të Konventës, në veçanti kur ajo shërben për të dhënë informacion dhe ide të interesit të përgjithshëm dhe që publiku ka të drejtë t’i marrë për më tepër (shih VGT Verein gegen Tierfabriken kundër Zvicrës, nr. 24699/94, §§ 73 dhe 75 , ECHR 2001-VI; shih gjithashtu De Geillustreerde kundër Holandës, nr. 5178/71, Vendim i Komisionit i 6 korrik 1976, § 86, Vendimet dhe Raportet (DR) 8, fq. 13). Kjo është e vërtetë gjithashtu, edhe kur pozicioni dominues mbahet nga një transmetues shtetëror ose publik. Kështu, Gjykata ka vendosur që, për shkak të natyrës së tij të kufizuar, një regjim licencimi i cili i lejon transmetuesit publik një monopol mbi frekuencat në dispozicion nuk mund të justifikohet, nëse nuk mund të demonstrohet se ekziston një nevojë e ngutshme për të (Informationsverein Lentia dhe të Tjerë kundër Austrisë, 24 nëntor 1993, § 39, Seria A nr. 276).
99. Ushtrimin efektiv dhe i vërtetë i lirisë së shprehjes nuk varet thjesht nga detyrimi i Shtetit për të mos ndërhyrë, por mund të kërkojë që ai të marrë masa pozitive të mbrojtjes, nëpërmjet ligjit ose praktikës (shih, për shembull, Özgür Gündem kundër Turqisë, nr. 23144/93, §§ 42-46, ECHR 2000-III; Fuentes Bobo kundër Spanjës, nr. 39293/98, § 38, 29 shkurt 2000; Appleby dhe të Tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 44306/98, §§ 39-40, ECHR 2003-VI). Duke pasur parasysh rëndësinë e asaj që është në rrezik sipas nenit 10, shteti duhet të jetë garanti i fundit i pluralizmit (shih Informationsverein Lentia dhe të Tjerët, cituar më lart, § 38; VGT Verein gegen Tierfabriken, cituar më sipër, §§ 44-47).
100. Gjykata vlerëson se, në fushën e transmetimeve radio televizive, parimet e mësipërme vendosin një detyrim mbi Shtetin për të garantuar, së pari, që publiku të ketë akses përmes televizionit dhe radios në informata të paanshme, të sakta dhe në një gamë të gjerë të opinioneve dhe komenteve, duke reflektuar inter alia diversitetin e pikëpamjeve politike brenda vendit dhe, së dyti, që gazetarët dhe profesionistët e tjerë që punojnë në median radio televizive të mos pengohen në dhënien e këtyre informacioneve dhe komenteve. Zgjedhja e mjeteve për të arritur këto synime ndryshon sipas kushteve lokale dhe, prandaj, përfshihen brenda hapësirës së vlerësimit të shtetit. Kështu, për shembull, pavarësisht se Gjykata, dhe më parë Komisioni, kanë deklaruar se, shërbimit publik i transmetimit është i aftë për të kontribuar në cilësinë dhe bilancin e programacionit (Informationsverein Lentia dhe të Tjerë, cituar më lart, § 33; Tele 1 Privatfernsehgesellschaft mbH kundër Austrisë, nr. 32240/96, 21 shtator 2000; X.SA kundër Holandës, nr. 21472/93, Vendim i Komisionit i datës 11 janar 1994, DR 76-A, f. 129), nuk ka asnjë detyrim në bazë të nenit 10 për të vënë në vend një shërbim të tillë, mjafton që disa mjete të tjera të përdoren për të njëjtin qëllim.
101. Nga parimet e mësipërme del se kur një Shtet vendos të krijojë një sistem të transmetimit publik, duhet që nëpërmjet të drejtës dhe praktikës së brendshme e tij të garantojnë që sistemi të ofrojë një shërbim pluralist. Veçanërisht kur stacionet private janë ende tepër të dobëta për të ofruar një alternativë të vërtetë dhe kështu transmetuesi publik apo shtetëror është alternativa e vetme apo transmetuesi dominues brenda vendit apo rajonit, është e domosdoshme për funksionimin e duhur të demokracisë që ai të transmetojë lajme informacione dhe koment të paanshme, të pavarura dhe të balancuar, dhe përveç kësaj të ofrojë një forum për diskutim publik, në të cilin, të shprehen sa më shumë të jetë e mundur pikëpamje dhe mendime të ndryshme.
102. Në lidhje me këtë, standardet për transmetuesin publik të cilat janë pranuar nga Shtetet Kontraktuese nëpërmjet Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës (shih paragrafët 51-54 më lart) japin udhëzime për sa i përket qasjes që duhet pasur lidhur me interpretimin e nenit 10 në këtë fushë. Gjykata vëren se në " Rezoluta nr. 1 mbi të Ardhmen e Shërbimit Publik të Transmetimit Radio Televiziv" (1994), Shtetet pjesëmarrëse morën përsipër detyrimin "për të garantuar pavarësinë e transmetuesve të shërbimit publik ndaj ndërhyrjeve politike dhe ekonomike". Për më tepër, në Shtojcën e Rekomandimin nr. R (96) 10 "Për Garantimin e Pavarësisë të transmetimit së shërbimit publik " (1996), Komiteti i Ministrave miratoi një numër udhëzimesh të hollësishme që synonin të siguronin pavarësinë e transmetuesit publik. Këto përfshinin rekomandimin se "kuadri ligjor që rregullon aktivitetin e kompanive që ofrojnë shërbimin publik të transmetimit duhet të përcaktojnë qartësisht pavarësinë e tyre editoriale dhe autonominë institucionale", duke iu referuar në mënyrë të veçantë një numër të fushave kryesore të veprimtarisë, duke përfshirë redaktimin dhe paraqitjen e lajmeve, programeve për çështjet aktuale dhe rekrutimin, punësimin dhe menaxhimin e stafit. Udhëzimet theksonin gjithashtu se, dispozitat që rregullojnë statusin dhe emërimin e anëtarëve të bordeve të menaxhimit dhe të organeve mbikëqyrëse të transmetuesve të shërbimit publik duhet të përcaktohen në një mënyrë që shmangin rrezikun e ndërhyrjeve politike apo të llojeve të tjera. Ato gjithashtu parashikojnë:
“Kuadri ligjor i shërbimit publik të transmetimit duhet qartësisht të përcaktojë se transmetuesit publikë duhet të sigurojnë që programet e lajmeve të paraqesin fakte dhe ngjarje mjaft aktuale dhe të inkurajojnë formimin e lirë të opinioneve.
Rastet në të cilat shoqëritë që ofrojnë shërbimin publike të transmetimit mund të detyrohen të transmetojë mesazhe, deklaratat ose komunikimet zyrtare, apo për të raportuar mbi aktet apo vendime të autoriteteve publike, ose t’u japin kohë transmetimi këtyre autoriteteve, duhet të kufizohet në rrethana të jashtëzakonshme të përcaktuara shprehimisht në ligjet dhe rregullore. ...”
Së fundi, në shtojcën e Rekomandimin Rec(2000)23 mbi " Pavarësinë dhe Funksionet e Autoriteteve Rregullatorë për Sektorin e Transmetimeve radio Televizive", Komiteti i Ministrave theksoi përsëri rëndësinë e miratimit nga ana e Shteteve të rregullave të detajuara lidhur me anëtarësimin dhe funksionimin e këtyre autoriteteve rregullatorë në mënyrë që të parandalohen ndërhyrjet dhe influencat politike.
(b) Nëse ka pasur një ndërhyrje në të drejtën e kërkuesve për lirinë e shprehjes në çështjen në fjalë
103. Kërkuesit, të cilët gjatë periudhës përkatëse ishin të gjithë të punësuar si gazetarë, redaktorë apo producentë në TRM, pretendonin se iu ishte kufizuar liria e tyre e shprehjes. Gjykata rikujton se, në përputhje me kushtet e përcaktuara në nenin 10 § 2, gazetarët kanë të drejtë për të dhënë informacion. Mbrojtja e nenit 10 shtrihet mbi gazetarë dhe të punësuar të tjerë në media. Një gazetar i punësuar mund të pretendojë se ndikohet drejtpërdrejt nga një rregull i përgjithshëm apo politikat e aplikuara nga punëdhënësi i tij, i cili kufizon lirinë gazetareske (shih Purcell dhe të Tjerët kundër Irlandës, nr. 15404/89, Vendim i Komisionit i 16 prillit 1991, DR 70, p. 262). Masat apo sanksionet e tjera të vendosura kundrejt një gazetari nga punëdhënësi i tij mund të përbëjnë një ndërhyrje në lirinë e shprehjes (shih Fuentes Bobo, cituar më lart, § 38).
104. Kërkuesit pretenduan se atyre u ishte kërkuar nga drejtuesit e lartë TRM-së për të zbatuar një politikë të tillë që të shmangnin tema të cilat konsideroheshin të turpshme apo të dëmshme nga Qeveria. Gjykata konstaton se është e rëndësishme në këtë drejtim, fakti që Qeveria nuk i kishte kundërshtuar shembujt konkretë të cituar nga kërkuesit për programet ose pjesët e programeve, transmetimi i të cilave dyshohej të ishte refuzuar nga drejtuesit e lartë në TRM për shkak të temës që trajtonin (shih paragrafët 24-25 më lart).
105. Kërkuesit pretenduan, gjithashtu, se ata ishin detyruar t’i nënshtroheshin politikës disproporcionale të kohës së transmetimit për të raportuar mbi aktivitetet e anëtarëve të partisë politike në pushtet, dhe raportimi i pakët ose fare i aktivitetit dhe pikëpamjeve të partive opozitare. Në lidhje me këtë, Gjykata vëren se paragrafi 18 i Shtojcës i Rekomandimit Rec(2000)23 të Komitetit të Ministrave thekson se, është një funksion thelbësor i autoriteteve rregullatorë për të monitoruar pajtueshmërinë e subjekteve transmetuese me detyrimet e tyre ligjore, dhe neni 13(1 ) i ligjit nr. 1320-XV i kërkon Këshillin Mbikëqyrës për të kryer monitorimin e TRM-së (shih paragrafët 53 dhe 65 më lart). Nga informacionet e paraqitura para Gjykatës nuk del që ky monitorim të jetë kryer. Në mungesë të provave të besueshme që provojnë të kundërtën, Gjykata i konsideron të dhënat e mbledhura nga IJC të rëndësishme (shih paragrafin 77 më lart). Ato tregonin një qëndrim të vazhdueshëm në vitet 2004 dhe 2005 të mungesës së përmendjes së opozitës politike dhe një përqindje të lartë të lajmeve kushtuar aktiviteteve të Presidentit dhe Qeverisë. Të dhënat e IJC mbështeteshin edhe nga vëzhgimet më të përgjithshme dhe komentet e përfaqësuesve të Këshillit të Evropës, OSBE-së dhe neni 19 (shih paragrafët 72-78 më lart).
106. Mbi bazën e provave para saj, Gjykata arrin në përfundimin se gjatë periudhës në fjalë ka pasur një favorizim të rëndësishëm të raportimit mbi aktivitetet e Presidentit dhe Qeverisë në lajmet e TRM-së dhe në programet e tjera televizive, ndërkohë që përfaqësuesve të opozitës u ishin dhënë mundësi të kufizuara qasjeje në televizion për të shprehur pikëpamjet e tyre. Përveç kësaj, ajo konsideron se ka prova të një politike kufizimi lidhur me diskutime apo përmendjen e temave të caktuara, pasi ishin konsideruar politikisht të ndjeshme apo reflektonin keq në një farë mënyre mbi Qeverinë. Kërkuesit, si gazetarë, redaktorë dhe producentë në stacionin televiziv TRM, duhet të ketë qenë të prekur nga këto politika. Rrjedhimisht Gjykata konstaton se, kërkuesit kanë përjetuar një ndërhyrje të vazhdueshme në të drejtat e tyre për lirinë e shprehjes gjatë periudhës në fjalë.
(c) Detyrimi pozitiv i Shtetit në bazë të nenit 10 në çështjen konkrete
107. Siç është parashikuar më sipër (paragrafët 94-101), neni 10 krijon detyrim pozitiv. Shteti, si garantues përfundimtar i pluralizmit, duhet të sigurojë, nëpërmjet ligjit dhe praktikës të tij, që publiku të informohet përmes televizionit dhe radio në mënyrë të paanshme dhe të saktë dhe me një gamë të gjerë opinionesh dhe komentesh të cilat reflektojnë inter alia diversitetin e opinionin politik brenda vendit dhe se gazetarët dhe profesionistët e tjerë që punojnë në media radio-televizive nuk pengohen në dhënien e informacioneve dhe komenteve. Kur Shteti vendos të krijojë një sistem të transmetimeve publike, e drejta dhe praktika e brendshme duhet të garantojë që sistemi të ofrojë një shërbim pluralist transmetimi radio televiziv. Standardet në lidhje me transmetimin publik, të cilat janë aprovuar nga Shtetet Kontraktuese nëpërmjet Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ofrojnë udhëzime lidhur me interpretimin e nenin 10 në këtë fushë.
108. Gjykata vëren se gjatë pjesës më të madhe të periudhës në fjalë, TRM ishte i vetmi transmetues moldav i programeve televizive të cilat shiheshin në mbarë vendin (shih paragrafin 8 më sipër). Për më tepër, rreth 60% e popullsisë jetonte në zonat rurale, ku nuk kishte apo ishte e kufizuar qasja në televizionin satelitor ose kabllor apo siç kishte vërejtur Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm ndaj shtypit të shkruar, pra gazetat. (shih paragrafin 72 më lart). Në këto rrethana, ishte e një rëndësie jetike për funksionimin e demokracisë në Moldavi që TRM të transmetonte lajme të sakta dhe që krijonin një balancë. Gjithashtu informacioni dhe programacioni i saj duhej të pasqyronte gamën e plotë të mendimit politik dhe debatit në vend dhe autoritetet shtetërore ishin nën një detyrim pozitiv të fortë për krijuar kushtet që kjo të ndodhte.
109. Në mënyrë që të përmbushet ky detyrim, ishte thelbësore, siç përcaktohej në udhëzimet e mësipërme të përpunuara nga Komiteti i Ministrave, miratimi i një kuadri ligjor i cili t’i siguronte pavarësinë TRM-së nga ndërhyrjet dhe kontrolli politik. Gjykata vëren, në këtë drejtim, se Vendimi i Qeverisë nr. 502 (1996), i cili ndryshoi Statutin e TRM-së, parashikonte se, në përputhje me Shtojcën e Rekomandimit nr. R (96) 10 të Komitetit të Ministrave, " aktivitetit krijues dhe editorial i TRM-së... duhet të mbrohet me ligj nga ndërhyrjet e autoriteteve publike dhe presioni i partive politike" (shih paragrafin 60 më lart). Megjithatë, ligji nuk parashikon struktura të cilat do të kishin bërë të mundur një pavarësi të tillë. Neni 4 i Vendimit nr. 502 parashikon që "Veprimtaria e shoqërisë do drejtohet nga Shteti nëpërmjet Këshillit Koordinues të Radio Televizionit". KKRT ishte e përbërë nga nëntë anëtarë, tre të emëruar nga Parlamentit, tre nga Presidenti i Moldavisë dhe tre të tjerët nga Qeveria, me asnjë garanci ndaj shkarkimit nga detyra. Presidenti TRM-së, Zëvendës Presidenti dhe Bordi i Drejtorëve ishin emëruar nga Kuvendi me propozim të KKRT. Në këto rrethana, gjatë periudhës shkurt 2001 e në vazhdim, kur një parti politike kontrollonte Parlamentin, Presidencën dhe Qeverinë, e drejta e brendshme nuk jepte ndonjë garanci për balancë politike në përbërjen e organeve të larta drejtuese dhe mbikëqyrës të TRM-së, për shembull me përfshirjen e anëtarëve të emëruar nga opozita politike, apo ndonjë mbrojtje kundër ndërhyrjeve nga partia në pushtet në këto organe vendim-marrëse dhe operative.
110. Ligji nr. 1320-XV nuk i ndreq mjaftueshëm këto probleme. Ky ligj krijoi Këshillin e Mbikëqyrësve i cili zëvendësoi Bordin e mëparshëm Drejtues, i cili inter alia ishte përgjegjës për emërimin e drejtuesve të lartë të TRM-së dhe monitorimin e programeve të saj për saktësinë dhe objektivitetin. Megjithatë, siç Z. Jakubowicz vërejti në analizat e tij (shih paragrafët 63, 64 dhe 69 më lart), rregullat për emërimin e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës nuk ofronin mbrojtje adekuate kundër paragjykimeve politike. Gjykata ndan të njëjtën pikëpamje. Në veçanti, neni 13 (2) i ligjit nr. 1320-XV përcakton se, vetëm një anëtar i Këshillit Mbikëqyrës duhet të emërohet nga një prej partive të opozitës parlamentare; nuk kishte asnjë garanci mbrojtëse për të parandaluar që të gjithë 14 anëtarët e tjerë të emëruar të ishin besnikë të partisë në pushtet.
(d) Përfundime lidhur me pajtueshmërinë me nenin 10
111. Për ta përmbledhur, nën dritën veçanërisht të monopolit virtual që gëzonte TRM mbi transmetimet radio televizive në Moldavi, Gjykata konstaton se autoritetet shtetërore nuk kishin respektuar detyrimet e tyre pozitive. Korniza legjislative gjatë periudhës në fjalë kishte mangësi, në atë që nuk ofronte mbrojtje të mjaftueshme kundër kontrollit nga organi politik, Qeveria ndaj drejtuesve të lartë TRM-së, dhe rrjedhimisht politikës redaktuese. Këto mangësi nuk u korrigjuan as me miratimin dhe ndryshimin e ligjit nr. 1320-XV.
(e) Shterimi i mjeteve të brendshme ligjore
112. Gjykata duhet të shqyrtojë kundërshtimin paraprak të Qeverisë në lidhje me mos-shterimin e mjeteve të brendshme dhe pretendimin e kërkuesve se ka pasur një praktikë administrative të censurës dhe të kontrollit politik në TRM (shih paragrafët 81-82 më lart). Gjykata ka konstatuar se, gjatë periudhës në shqyrtim, një parti politike dominonte organet ekzekutive dhe legjislative të shtetit dhe se e drejta vendase nuk siguronte mbrojtje adekuate kundër ndërhyrjeve politike dhe kontrollin mbi politikën editoriale TRM-së (shih paragrafët 109-110 lart). Në këto rrethana, kishte padyshim një rrezik në rritje të praktikës administrative të llojit të pretenduar nga kërkuesit. Për më tepër, Gjykata konsideron se shembujt e paragjykimeve politike dhe kufizimeve mbi raportimin, të gjetura më lart (shih paragrafët 104-106), janë të mjaftueshme për të mbështetur përfundimin se, gjatë periudhës përkatëse, një model apo sistem i përdorimit të TRM-së për të promovuar politikat e partisë në pushtet, përbënte një praktikë administrative brenda kuptimit të jurisprudencës së Gjykatës (shih paragrafin 84 më lart). Në këto rrethana, kërkuesit çliroheshin nga detyrimi për shterimin e mjeteve të brendshme para paraqitjes së kërkesës së tyre në Gjykatë.
113. Për më tepër, Gjykata vëren se e drejta e brendshëm nuk u ofronte kërkuesve ndonjë mekanizëm për të sfiduar, në gjykatat kombëtare, legjislacionin apo aktet administrative rregullatore të Presidentit apo të Qeverisë mbi bazën e papajtueshmërisë së tyre me Konventën (shih paragrafin 55 lart). Edhe pse Gjykata Kushtetuese mund të shqyrtojë kushtetutshmërinë e akteve të Presidentit, Qeverisë apo Parlamentit, nuk ishte e mundur që kërkuesit t’i drejtoheshin me peticion direkt Gjykatës Kushtetuese. Kur kërkuesit nisën procedurat ankimore në lidhje me paligjshmërinë e pretenduar të procedurës së ri-punësimit, e cila kishte çuar në largimin nga puna të katër prej tyre, Gjykata e Apelit hodhi poshtë pretendimet e tyre me arsyetimin se, inter alia, nuk ishte e mundur për të kundërshtuar dispozitat ligjore (shih paragrafin 49 më lart). Në këto rrethana, Gjykata nuk është e bindur se kërkuesit kanë pasur në dispozicion mjete efektive në lidhje me një pjesë qendrore të kërkesës së tyre.
(f) Përfundime
114. Gjykata refuzon kundërshtimin paraprak të Qeverisë dhe gjen shkelje të nenit 10 të Konventës.
III. ZBATIMI I NENIT 46 DHE 41 TË KONVENTËS
115. Nenet 46 dhe 41 të Konventës parashikojnë:
“Neni 46
1. Palët e Larta Kontraktuese marrin përsipër të respektojnë vendimin e formës së prerë të Gjykatës në çdo çështje ku ato janë palë.
2. Vendimi i formës së prerë i Gjykatës i përcillet Komitetit të Ministrave, i cili mbikëqyr ekzekutimin e tij.”
“Neni 41
Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtua.”
116. Gjykata rikujton se kur konstaton se ka pasur një shkelje, Shteti i paditur ka detyrimin ligjor sipas nenit 46 të Konventës jo vetëm për të paguar shumën e akorduar si shpërblim i drejtë sipas nenit 41, por edhe për të zgjedhur, nën mbikëqyrjen e Komitetit të Ministrave, masa të përgjithshme dhe/ose, nëse është e përshtatshme, masa individuale për t’u miratuar sipas kuadrit të brendshëm ligjor për t’i dhënë fund shkeljes së konstatuar nga Gjykata dhe për të ndrequr aq sa është e mundur efektet e saj. Shteti i paditur mbetet i lirë, nën monitorimin e Komitetit të Ministrave, për të zgjedhur mjetet me të cilat ai do të përmbushë detyrimin e tij ligjor sipas nenit 46 të Konventës, me kusht që mjete të tilla të jenë në përputhje me konkluzionet e përcaktuara në vendimin e Gjykatës (shih Scozzari dhe Giunta kundër Italisë [GC], nr. 39221/98 dhe 41963/98, § 249, ECHR 2000-VIII; Brumarescu kundër Rumanisë (shpërblimi i drejtë) [GC], nr. 28342/95, § 20, ECHR 2001-I; Kauczor kundër Polonisë, nr. 45219/06, § 61, 3 shkurt 2009).
117. Në rastin konkret, Gjykata rikujton se ka konstatuar shkelje të nenit 10 që rrjedh, inter alia, nga mangësitë në kuadrin ligjor të TRM-së. Ajo konsideron se Shteti i paditur është nën detyrimin ligjor, sipas nenit 46, për të marrë masat e përgjithshme në mundësinë e parë për të rregulluar situatën e cila çoi në shkelje të nenit 10. Në dritën e mangësive të gjetura nga ana e Gjykatës, këto masa duhet të përfshijnë reformën e përgjithshme legjislative, për të siguruar që kuadri ligjor të jetë në përputhje me kërkesat e nenit 10 dhe të merren parasysh Rekomandimi i Komitetit të Ministrave nr. R (96)10 (shih paragrafin 52 më lart) dhe rekomandimet e z Jakubowicz (shih paragrafët 63-69 më lart).
118. Gjykata çmon se çështja shpërblimit të drejtë, sipas nenit 41 nuk është ende gati për vendim. Prandaj, është e nevojshme që ta marrë atë në shqyrtim në procedura të mëtejme, duke marrë parasysh mundësinë e një marrëveshjeje mes palëve (neni 75 § 4 i Rregullores së Gjykatës).
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA NJËZËRI:
1. Hedh poshtë kundërshtimet paraprake të Qeverisë;
2. Vendos se ka pasur shkelje të nenit 10 të Konventës;
3. Vendos se aspekti i zbatimit të nenit 41 nuk është gati për vendim dhe rrjedhimisht,
(a) e rezervon në tërësi shqyrtimin e këtij aspekti;
(b) fton Qeverinë dhe kërkuesit të paraqesin, brenda tre muajve nga data në të cilën vendimi merr formë të prerë në përputhje me nenin 44 § 2 të Konventës, vëzhgimet e tyre me shkrim për çështjen dhe, në veçanti, të njoftojnë Gjykatën për çdo marrëveshje që ata mund të arrijnë;
(c) e rezervon procedurën e mëtejshme dhe i delegon Kryetarit të Dhomës kompetencën për ta përcaktuar atë, nëse do të jetë e nevojshme.
Përgatitur në gjuhën angleze dhe njoftuar me shkrim më 17 shtator 2009, sipas nenit 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Lawrence EarlyNicolas Bratza
KancelarPresident
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jotregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund) Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Tout personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy