© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA MARGUŠ k. KROACISË
(Kërkesëpadia nr. 4455/10)
VENDIM
STRASBURG
27 maj 2014
Ky vendim është i formës së prerë. Atij mund t’i bëhen rishikime në redaktim.
Në çështjen Marguš k. Kroacisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e mbledhur në një Dhomë të Madhe të përbërë nga:
Dean Spielmann, kryetar,
Josep Casadevall,
Guido Raimondi,
Ineta Ziemele, gjyqtar ad hoc
Mark Villiger,
Isabelle Berro-Lefèvre,
Corneliu Bîrsan,
Ján Šikuta,
Ann Power-Forde,
Işıl Karakaş,
Nebojša Vučinić,
Kristina Pardalos,
Angelika Nußberger,
Helena Jäderblom,
Krzysztof Wojtyczek,
Faris Vehabović,
Dmitry Dedov, gjyqtarë,
e nga Lawrence Early, këshilltar juridik,
Pasi e diskutoi çështjen në dhomë këshillimi më 26 qershor e 23 tetor 2013 si edhe më 19 mars 2014,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë të fundit:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të kësaj çështjeje ndodhet një kërkesëpadi (nr. 4455/10) e ngritur kundër Republikës së Kroacisë dhe me anë të së cilës një qytetar i këtij shteti, Z. Fred Marguš (“paditësi”), i është drejtuar Gjykatës më 31 dhjetor 2009 në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”).
2. Paditësi, i cili është pranuar që të përfitojë nga ndihma gjyqësore, është përfaqësuar nga Z. P. Sabolić, avokat në Osijek. Qeveria kroate (“Qeveria”) është përfaqësuar nga agjentja e saj, Znja Š. Stažnik.
3. Në kërkesëpadinë e tij, Z. Marguš, i cili ishte gjykuar dy herë penalisht, ankohej se procesi i tij ishte kryesuar të dyja herët nga i njëjti gjyqtar dhe se ky i fundit kishte vendosur ta largonte nga salla e gjyqit gjatë seancës përmbyllëse. Ai e shihte këtë si një shkelje të së drejtës së tij për një proces të rregullt. Përveç kësaj, ai e quante veten viktimë të një shkeljeje të së drejtës së tij për të mos u gjykuar dy herë për të njëjtat veprime.
4. Kërkesëpadia i është caktuar Seksionit të Parë të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës – “Rregullorja”). Më 5 shtator 2011, nënkryetari i Seksionit ka vendosur t’ia njoftojë kërkesëpadinë Qeverisë.
5. Më 13 nëntor 2012, një dhomë e Seksionit të lartpërmendur, e përbërë nga A. Kovler, kryetar, N. Vajić, P. Lorenzen, E. Steiner, K. Hajiyev, L.‑A. Sicilianos, E. Møse, gjyqtarë, si edhe nga S. Nielsen, sekretar seksioni, ka shpallur një vendim ku dilej njëzëri në përfundimin se duhej të pranoheshin ankesat e bëra në bazë të nenit 6 të Konventës lidhur me mungesën e pretenduar të paanësisë së gjyqtarit M.K. dhe me largimin e paditësit nga salla e gjyqit, si edhe ankesa e bërë mbi bazën e nenit 4 të Protokollit, dhe se nuk kishte pasur shkelje të këtyre dy dispozitave.
6. Më 27 dhjetor 2012, paditësi ka kërkuar kalimin e çështjes përpara Dhomës së Madhe në bazë të nenit 43 të Konventës. Kolegji i Dhomës së Madhe i ka dhënë të drejtë kësaj kërkese më 18 mars 2013.
7. Përbërja e Dhomës së Madhe është vendosur pastaj në përputhje me nenet 26 §§ 4 e 5 të Konventës dhe 24 të Rregullores.
8. Si paditësi ashtu edhe Qeveria kanë paraqitur vërejtje plotësuese me shkrim (neni 59 § 1 i Rregullores) lidhur me themelin e çështjes.
9. Vërejtje janë marrë nga ana tjetër edhe nga një grup ekspertësh universitarë pranë universitetit londinez të Middlesex-it, të cilin kryetari i Dhomës së Madhe e kishte lejuar të ndërhynte në procedurën me shkrim (nenet 36 § 2 i Konventës dhe 44 § 2 i Rregullores).
10. Një seancë është zhvilluar në publik në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 26 qershor 2013 (neni 59 § 3 i Rregullores).
Janë paraqitur:
– për Qeverinë
ZnjatŠ. Stažnik,agjente,
J. Dolmagić,
N. Katić,këshilltare;
– për paditësin
Z.P. Sabolić,avokat.
Gjykata ka dëgjuar deklarimet e Z. Sabolić dhe të Znjës Stažnik si edhe përgjigjet e tyre për pyetjet e bëra nga gjyqtarët Kalaydjieva, Vučinić e Turković.
11. Në përfundim të seancës, është vendosur që Ksenija Turković, gjyqtare e zgjedhur në lidhje me Kroacinë, nuk mund të merrte pjesë në shqyrtimin e çështjes (neni 28 i Rregullores). Qeveria ka caktuar atëherë për të marrë pjesë në vend të saj gjyqtaren Ineta Ziemele, të zgjedhur në lidhje me Letoninë (nenet 26 § 4 i Konventës dhe 29 § 1 i Rregullores). Për rrjedhojë, gjyqtarja Ann Power‑Forde, zëvendësgjyqtare e parë, është bërë anëtare titullare e Dhomës së Madhe. Gjyqtarja Zdravka Kalaydjieva ka hequr dorë dhe është zëvendësuar nga gjyqtari Ján Šikuta, zëvendësgjyqtar i dytë. Edhe gjyqtari André Potocki ka hequr gjithashtu dorë dhe është zëvendësuar nga gjyqtarja Angelika Nußberger, zëvendësgjyqtare e tretë (neni 28 i Rregullores).
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
12. Paditësi ka lindur më 1961; ai vuan aktualisht një dënim me burgim në burgun shtetëror të Lepoglavës.
A. Procedura e parë penale e drejtuar kundër paditësit (nr. K‑4/97)
13. Më 19 dhjetor 1991, shërbimet policore të Osijekut iu drejtuan Gjykatës së Qarkut të Osijekut me një padi penale të drejtuar kundër paditësit dhe pesë personave të tjerë; ato pretendonin se paditësi, pjesëtar i ushtrisë kroate, kishte vrarë disa civilë.
14. Më 20 prill 1993, prokurori ushtarak i Osijekut e fajësoi paditësin përpara Gjykatës së Qarkut të Osijekut për disa akuza për vrasje, goditje dhe plagosje të rënda, për vënie në rrezik të jetës e të pasurisë së tjetrit, dhe për vjedhje. Pjesët përkatëse të aktakuzës shprehen kështu:
“i akuzuari i parë, Fred Marguš,
1. më 20 nëntor 1991 rreth orës 7, në Çepin, (...) ka qëlluar katër herë me një armë automatike ndaj S.B. (...), duke shkaktuar kështu vdekjen e këtij të fundit;
(...)
2. në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend me ato që tregohen në pikën 1 të mësipërme (...) ka qëlluar disa herë me një armë automatike ndaj V.B. (...),duke shkaktuar kështu vdekjen e këtij të fundit;
(...)
3. më 10 dhjetor 1991, e ka çuar N.V. në pyllin e “Vrbikut” midis Çepinit dhe Ivanovacit (...) dhe ka qëlluar dy herë me një armë automatike ndaj N.V. (...), duke shkaktuar kështu vdekjen e këtij të fundit;
(...)
4. në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend me ato që tregohen në pikën 3 të mësipërme, ka qëlluar me një armë automatike ndaj Ne. V. (...), duke shkaktuar kështu vdekjen e kësaj të fundit;
(...)
6. më 28 gusht 1991 rreth orës 3, ka hedhur një mjet shpërthyes në disa lokale tregtare në Çepinski Martinovec (...), duke shkaktuar kështu dëme materiale;
(...)
7. më 18 nëntor 1991 në orën 0.35, në Çepin, ka vendosur një mjet shpërthyes brenda një shtëpie (...) duke shkaktuar kështu dëme materiale (...);
(...)
8. Më 1 gusht 1991 në orën 15.30, në Çepin, (...) ka qëlluar ndaj R.C., duke e plagosur atë lehtë, pastaj (...) ka goditur V.Ž. me shqelma (...), duke e plagosur atë rëndë (...) dhe ka goditur njëlloj me shqelma R.C. (...), duke i shkaktuar atij disa plagë të tjera të lehta (...);
(...)
9. Midis 26 shtatorit dhe 5 tetorit 1991, në Čepin, (...) ka vjedhur armë dhe fishekë (...);
(...)”
Paditësi u akuzua gjithashtu edhe për vjedhjen e disa traktorëve e makinerive të tjera që i përkisnin tjetërkujt.
15. Më 25 janar 1996, zëvendësprokurori ushtarak i Osijekut i tërhoqi akuzat e përmendura në pikat 3, 4, 6, 7 e 9 të aktakuzës, si edhe akuzat për vjedhje të pasurisë së tjetrit. Ai e fajësoi paditësin me një akuzë të re për goditje e plagosje të rënda ngaqë kishte qëlluar ndaj një fëmije, Sl.B., më 20 nëntor 1991 rreth orës 7 në Çepin. Ish-pika 8 e aktakuzës u bë kështu pika 4 e saj.
16. Më 24 shtator 1996 u shpall Ligji për Amnisti të Përgjithshme i cili përcaktonte se duhej të zbatohej një amnisti e përgjithshme për të gjitha veprat penale të kryera në lidhje me luftën në Kroaci midis 17 gushtit 1990 dhe 23 gushtit 1996, me përjashtim të veprave që përbënin shkelje shumë të rënda të së drejtës humanitare ose krime lufte, sidomos krim gjenocidi (paragrafi 27 i mëposhtëm).
17. Më 24 qershor 1997, një kolegj i Gjykatës së Qarkut të Osijekut, i kryesuar nga gjyqtari M.K., vendosi t’i japë fund procedurës kundër paditësit në zbatim të Ligjit për Amnisti të Përgjithshme. Pjesa përkatëse e këtij vendimi shprehet kështu:
“Gjykata e qarkut e Osijekut (...) vendos sot, më 24 qershor 1997, se është e udhës t’i jepet fund, në zbatim të nenit 1 §§ 1 e 3 dhe të nenit 2 § 2 të Ligjit për Amnisti të Përgjithshme, procedurës penale të nisur më 10 shkurt 1997 (...) përmes aktakuzës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Qarkut të Osijekut kundër të pandehurit Fred Marguš për dy akuza për vrasje (...), për goditje dhe plagosje të rënda (...) dhe për vënie në rrezik të jetës dhe të pasurive të tjetrit (...).
(...)
Parashtrimi i arsyeve
Në aktakuzën e saj nr. Kt-1/93 të datës 20 prill 1993, Prokuroria Ushtarake e Osijekut e ka fajësuar Fred Marguš-in për tri akuza vrasjeje në rrethana rënduese sipas nenit 35 § 1 të Kodit Penal, për një akuzë vrasjeje në rrethana rënduese sipas nenit 35 § 2, pika 2, të Kodit Penal, për dy akuza vënieje në rrezik të jetës dhe të pasurive të tjetrit (...) sipas nenit 153 § 1 të Kodit Penal, për një akuzë për goditje dhe plagosje të rënda sipas nenit 41 § 1 të Kodit Penal, për një akuzë për vjedhje armësh dhe pajisjesh të tjera luftarake sipas nenit 223 §§ 1 e 2 të Kodit Penal, dhe për një akuzë për vjedhje në rrethana rënduese sipas nenit 131 § 2 të Kodit Penal (...)
Aktakuza e mësipërme është ndryshuar në mënyrë thelbësore në seancën e mbajtur përpara Gjykatës Ushtarake të Osijekut më 25 janar 1996, gjatë së cilës zëvendësprokurori ushtarak i ka tërhequr disa akuza dhe ka ndryshuar përshkrimin faktik e juridik si edhe cilësimin juridik të disa veprave.
Kështu, i pandehuri Fred Marguš është gjendur i fajësuar për dy akuza vrasjeje sipas nenit 34 § 1 të Kodit Penal, për një akuzë për goditje dhe plagosje të rënda sipas nenit 41 § 1 të Kodit Penal dhe për një akuzë për vënie në rrezik të jetës dhe të pasurive të tjetrit (...) sipas nenit 146 § 1 të Kodit Penal (...)
Pas heqjes së gjykatave ushtarake, dosja e çështjes iu përcoll Prokurorisë pranë Gjykatës së Qarkut të Osijekut, e cila e ka vazhduar ndjekjen penale për të njëjtat akuza dhe ka kërkuar që gjykimi të vijojë pranë Gjykatës së Qarkut të Osijekut. Kjo e fundit ia ka përcjellë dosjen një kolegji prej tre gjyqtarësh në kuadrin e zbatimit të Ligjit për Amnisti të Përgjithshme.
Pas shqyrtimit të dosjes, kolegji doli në përfundimin se plotësohen kushtet e parashikuara në nenin 1 §§ 1 e 3 dhe në nenin 2 § 2 të Ligjit për amnisti të përgjithshme dhe se i pandehuri nuk përjashtohet nga përfitimi prej amnistisë..
Ligji i sipërpërmendur parashikon një amnisti të përgjithshme për veprat penale të kryera gjatë agresionit, kryengritjes së armatosur ose konflikteve të armatosura (...) në Republikën e Kroacisë. Kjo amnisti e përgjithshme ka të bëjë me veprat penale të kryera midis 17 gushtit 1990 dhe 23 gushtit 1996.
Nga përfitimi prej amnistisë së përgjithshme përjashtohen vetëm autorët e shkeljeve më të rënda të së drejtës humanitare të cilat përbëjnë krime lufte dhe autorët e disa veprave penale të numëruara në nenin 3 të Ligjit për Amnisti të Përgjithshme. Gjithashtu përjashtohen autorët e disa veprave të tjera penale të parashikuara nga Kodi Penal (...) që nuk janë kryer gjatë agresionit, kryengritjes së armatosur ose konflikteve të armatosura në Kroaci dhe që nuk paraqesin lidhje me këto ngjarje.
I pandehuri, Fred Marguš, akuzohet për tri vepra penale të kryera në Çepin më 20 nëntor 1991 dhe për një vepër penale të kryer në Çepin më 1 gusht 1991.
Tri veprat e para kanë të bëjnë me periudhën më të vështirë, atë të sulmeve më të ashpra kundër Osijekut dhe lindjes së Kroacisë, menjëherë pas rënies së Vukovarit, dhe të luftimeve më të egra për marrjen e Laslovos. Gjatë këtyre luftimeve, i pandehuri është dalluar për guximin e tij të pashoq dhe është propozuar për t’u ngritur në gradën e togerit nga eprori i tij i asaj kohe, komandanti i batalionit të tretë të Brigadës së 106-të të ushtrisë kroate.
Gjatë periudhës kritike lidhur me tri veprat e para penale, i pandehuri vepronte në cilësinë e pjesëtarit të ushtrisë kroate; në këtë periudhë veçanërisht të vështirë, ai është përpjekur, në cilësinë e tij si komandant i një njësiti, për të mos lejuar që një fshat i kërcënuar drejtpërdrejt të bjerë në duart e armikut. Vepra e katërt penale është kryer më 1 gusht 1991, ndërkohë që i pandehuri, rezervist me shërbim në Çepin, mbante uniformë ushtarake kamuflazhi dhe ishte i pajisur me armë luftarake.
(...)
Duke pasur parasysh kohën dhe vendin ku kanë ndodhur ngjarjet në fjalë, veprimet e të pandehurit paraqisnin një lidhje të ngushtë me agresionin, kryengritjen e armatosur dhe konfliktet e armatosura në Kroaci dhe ato janë kryer gjatë periudhës së parashikuar nga Ligji për Amnisti të Përgjithshme.
(...)
Në këto kushte, Gjykata çmon se plotësohen të gjitha kushtet ligjore për zbatimin e Ligjit për Amnisti të Përgjithshme (...)”
18. Në një datë të pasaktësuar, Prokurori i Përgjithshëm iu drejtua Gjykatës së Lartë me një rekurs në interes të ligjit (zahtjev za zaštitu zakonitosti), duke iu lutur që të përcaktonte se kishte pasur një shkelje të nenit 3 § 2 të Ligjit për Amnisti të Përgjithshme.
19. Juridiksioni i lartë mori vendim për këtë rekurs më 19 shtator 2007. Ajo nxori përfundimin se vendimi i marrë nga Gjykata e Qarkut të Osijekut më 24 qershor 1997 përbënte shkelje të nenit 3 § 2 të Ligjit për Amnisti të Përgjithshme. Pjesët përkatëse të vendimit shprehen kështu:
“(...)
Neni 1 § 1 i Ligjit për Amnisti të Përgjithshme parashikon se autorët e veprave penale që paraqesin një lidhje me agresionin, kryengritjen e armatosur dhe konfliktet e armatosura (...) në Kroaci përfitojnë amnisti të përgjithshme për sa u përket ndjekjeve penale dhe procedurave penale të drejtuara kundër tyre. Sipas paragrafit të tretë të të njëjtit nen, amnistia ka të bëjë me veprat penale të kryera midis 17 gushtit 1990 dhe 23 gushtit 1996. (...)
Nëse interpretohen me korrektësi, këto dispozita kërkojnë që, përveç kushtit të përgjithshëm sipas të cilit vepra penale në fjalë duhet të jetë kryer brenda periudhës së përfshirë midis 17 gushtit 1990 dhe 23 gushtit 1996 (i cili plotësohet në rastin e kësaj çështjeje), të ketë një lidhje të drejtpërdrejtë e domethënëse ndërmjet veprës penale, në njërën anë, dhe agresionit, kryengritjes së armatosur ose konflikteve të armatosura, në anën tjetër. Ky interpretim është në përputhje me parimin e përgjithshëm sipas të cilit kushdo që kryen një vepër penale duhet të përgjigjet për veprimet e tij. Për këtë arsye, dispozitat e mësipërme duhet të interpretohen në mënyrë të arsyeshme dhe me kujdesin e nevojshëm, në mënyrë që amnistia të mos bjerë në kundërshtim me vetveten dhe të mos e vërë sërish në pikëpyetje vetë qëllimin për të cilin është nxjerrë ligji në fjalë. Për këtë arsye, është e udhës të interpretohet shprehja “që paraqesin një lidhje me [agresionin, kryengritjen e armatosur ose konfliktet e armatosura]” e cila figuron në Ligjin për Amnisti të Përgjithshme, i cili nuk e përkufizon në mënyrë specifike natyrën e kësaj lidhjeje, sikur do të thotë që kjo lidhje duhet të jetë e drejtpërdrejtë e domethënëse.
(...)
Një pjesë e përshkrimit faktik të veprave penale që i ngarkohen të pandehurit Fred Marguš (...), që duket se tregon njëfarë lidhjeje me agresionin kundër Republikës së Kroacisë ose me kryengritjen e armatosur dhe konfliktet e armatosura në Kroaci, ka të bëjë me mbërritjen e viktimave të këtyre veprave penale (S.B., V.B. dhe i mituri Sl.B.) në Çepin, në shoqëri të fqinjëve të tyre, pas ikjes së tyre nga fshati i Ivanovacit si pasojë e sulmit nga “U[shtria] P[opullore] J[ugosllave]”. Është e udhës të nënvizohet se përkatësia e të pandehurit Fred Marguš në ushtrinë kroate nuk kundërshtohet. Megjithatë, këto rrethana nuk janë me natyrë të tillë që të përbëjnë një lidhje të drejtpërdrejtë me agresionin, kryengritjen e armatosur ose konfliktet e armatosura në Kroaci, çka kërkohet për zbatimin e Ligjit për Amnisti të Përgjithshme.
Sipas përshkrimit faktik të veprave penale të paraqitura në pikën 4 të aktakuzës, i pandehuri i ka kryer këto akte si pjesëtar i forcave rezerviste me qendër në Çepin, pas përfundimit të shërbimit të tij. Kjo rrethanë e vetme nuk mjafton për të vërtetuar një lidhje domethënëse ndërmjet veprave penale dhe luftës, sepse, po të ishte kështu, amnistia do të shtrihej mbi të gjitha veprat penale të kryera midis 27 gushtit 1990 dhe 23 gushtit 1996 nga pjesëtarë të ushtrisë kroate ose nga njësi armike (me përjashtim të veprave të numëruara në mënyrë specifike në nenin 3 § 1 të Ligjit për Amnisti të Përgjithshme); por sigurisht që qëllimi i ligjvënësit nuk ka qenë i tillë.
Së fundi, trimëritë e të pandehurit në luftë, të përshkruara me hollësi në vendimin e kundërshtuar, nuk mund të përbëjnë një kriter për zbatimin e Ligjit për Amnisti të Përgjithshme (...)
Nga përshkrimi faktik i veprave penale të numëruara në aktakuzë (...) nuk del që aktet në fjalë të jenë kryer gjatë agresionit, kryengritjes së armatosur ose konflikteve të armatosura në Kroaci, apo që ato të paraqesin ndonjë lidhje me këto ngjarje.
(...)”
B. Procedura e dytë penale e drejtuar kundër paditësit (nr. K 33/06)
20. Më 26 prill 2006, Prokuroria pranë Gjykatës së Qarkut të Osijekut ngriti kundër paditësit disa akuza për krime lufte ndaj popullsisë civile. Procedura u drejtua nga një kolegj prej tre gjyqtarësh të Gjykatës së Qarkut të Osijekut, ku përfshihej gjyqtari M.K. Paditësi u përfaqësua nga një avokat gjatë të gjithë procedurës.
21. Një seancë përmbyllëse u mbajt më 19 mars 2007 në prani, konkretisht, të paditësit dhe të avokatit të tij. Paditësi u nxor jashtë sallës së gjyqit gjatë konkluzioneve përfundimtare të palëve. Avokati i tij qëndroi në sallën e gjyqit dhe i paraqiti konkluzionet e tij përfundimtare. Pjesa përkatëse e procesverbalit të seancës shprehet kështu:
“Kryetari i kolegjit shënon se i pandehuri Fred Marguš e ka ndërprerë zëvendësprokurorin pranë Gjykatës së Qarkut të Osijekut (“zëvendësprokurori”) ndërkohë që ky i fundit po paraqiste konkluzionet e tij përfundimtare dhe se atij iu kërkua nga kolegji që të qetësohej; kur ai e ka ndërprerë zëvendësprokurorin për herë të dytë, të interesuarit i është dhënë një paralajmërim me gojë.
Pasi ishte paralajmëruar gojarisht nga kryetari i kolegjit, i pandehuri Fred Marguš ka vazhduar t’u bëjë komente konkluzioneve përfundimtare të zëvendësprokurorit. Për pasojë, me vendim të kolegjit dhe me urdhër të kryetarit, i pandehuri Fred Marguš është larguar nga salla e gjyqit deri në shpalljen e vendimit.
(...)”
22. Pas largimit të paditësit nga salla e gjyqit, paraqitën konkluzionet e tyre përfundimtare zëvendësprokurori, avokatët e viktimave, avokatët mbrojtës dhe një prej të akuzuarve.
23. Shpallja e vendimit u caktua për në 21 mars 2007 dhe pastaj seanca u mbyll. Paditësi ishte i pranishëm në shpalljen e vendimit. Ai u shpall fajtor për veprimet që i viheshin në ngarkim dhe u dënua me një dënim prej katërmbëdhjetë vjetësh burgim. Pjesa përkatëse e vendimit shprehet kështu:
“(...)
I pandehuri Fred Marguš (...)
dhe
i pandehuri T.D. (...)
janë fajtorë [se]
në periudhën e përfshirë midis datave 20 dhe 25 nëntor 1991, në Çepin e rrethina, në shkelje të nenit 3 § 1 të Konventës së Gjenevës të 12 gushtit 1949 lidhur me mbrojtjen e personave civilë në kohë lufte, si edhe të neneve 4 §§ 1 e 2 a) dhe 13 të Protokollit Shtesë të 8 qershorit 1977 të Konventave të Gjenevës të 12 gushtit 1949 lidhur me mbrojtjen e viktimave të konflikteve të armatosura jo ndërkombëtare (Protokolli II), ndërkohë që po e mbronin këtë territor kundër sulmeve të armatosura nga rebelët e atyshëm serbë dhe nga “Ushtria Popullore Jugosllave” në kuadrin e agresionit të kryer bashkërisht prej këtyre të fundit kundër rendit juridik kushtetues dhe tërësisë territoriale të Republikës së Kroacisë, Fred Marguš, në cilësinë e tij si komandant i njësitit 2 të Korpusit të 3-të të Brigadës së 130-të të ushtrisë kroate, dhe i pandehuri T.D., pjesëtarë i njësitit të komanduar nga Fred Marguš [kryen aktet e mëposhtme] me qëllimin për të vrarë civilë serbë;
i pandehuri Fred Marguš
a) më 20 nëntor 1991 rreth orës 8, në Çepin, njohu V.B. dhe S.B. të cilët po qëndronin (...) përpara kazermës së zjarrfikësve të Ivanovacit, pasi kishin ikur nga fshati i tyre për arsye të sulmeve të Ushtrisë Popullore Jugosllave, (...) qëlloi mbi ta me një armë automatike (...) dhe e goditi S.B. në kokë (...) e në qafë, duke e lënë të vrarë në vend këtë të fundit, ndërkohë që V.B., i plagosur, rrëzohej përdhe. I pandehuri u largua pastaj me një automjet, por u kthye pak kohë më pas. Duke parë se V.B. ishte ende gjallë, me të birin nëntëvjeçar Sl.B. (...) dhe të shoqen M.B. pranë tij, qëlloi përsëri mbi ta me armën automatike, duke e goditur V.B. dy herë në kokë (...) dhe dy herë në krah (...), duke i shkaktuar atij kështu vdekjen pak kohë më pas, ndërsa Sl.B. ishte goditur nga një plumb në këmbë (...), çka përbënte kështu veprën penale të goditjeve dhe të plagosjeve të rënda;
b) në periudhën nga 22 deri më 24 nëntori 1991, në Çepin, arrestoi N.V. dhe Ne.V. e, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, përvetësoi automjetin e tyre tip Golf (...), i shpuri ata në bodrumet e një shtëpie (...) ku i lidhi me litarë nëpër karrige dhe i la të mbyllur pa ujë e pa ushqim, pastaj, bashkë me pjesëtarët e njësitit të tij (...), i rrahu dhe i ofendoi, i mori në pyetje rreth veprimtarive të tyre të pretenduara armiqësore dhe rreth zotërimit të një radioje, duke i penguar njëkohësisht pjesëtarët e tjerë të njësitit që t’u jepnin ndihmë (...) dhe pas kësaj i shpuri në një pyll jashtë Çepinit (...) ku qëlloi mbi ta me disa plumba (...), duke shkaktuar kështu vdekjen e N.V. dhe (...) të Ne.V.;
c) më 23 nëntor 1991 rreth orës 13.30, në stacionin e autobusëve të Çepinit, arrestoi S.G. dhe D.G. si edhe të afërmin e tyre Lj. G., dhe i shpuri ata me veturë deri te një shtëpi (...), u lidhi duart në kurriz dhe, bashkë me T.B. (të vdekur më vonë), i mori në pyetje rreth veprimtarive të tyre të pretenduara armiqësore dhe, kur ra mbrëmja, ndërkohë që vazhdonin të ishin të lidhur, i shpuri me makinë jashtë Çepinit (...) ku qëlloi disa herë mbi ta (...), duke shkaktuar kështu vdekjen e tyre;
të pandehurit Fred Marguš dhe T.D., [duke vepruar] së bashku
d) më 25 nëntor 1991 rreth orës 13, në Çepin, teksa e panë S.P. në timonin e automjetit të tij Golf (...) e ndalën atë me kërkesën e Fred Marguš-it (...), e shpunë me makinë në një fushë (...) ku (...) Fred Marguš-i i dha urdhër T.D. që ta vrasë S.P., [urdhër] të cilit T.D. iu bind duke qëlluar një herë mbi S.P. (...), pas kësaj Fred Marguš-i qëlloi mbi këtë të fundit disa herë me një armë automatike (...),duke shkaktuar kështu vdekjen e S.P. (...), automjetin e të cilit e mori pastaj për vete.
(...)”
24. Më 19 shtator 2007, Gjykata e Lartë jo vetëm e la në fuqi dënimin e paditësit, por edhe e rriti atë duke e çuar në pesëmbëdhjetë vjet burgim. Pjesa përkatëse e vendimit të këtij juridiksioni të lartë shprehet kështu:
“Sipas nenit 36 § 1, pika 5, të Kodit të Procedurës Penale (KPP), një gjyqtar heq dorë në qoftë se, në suazën e së njëjtës çështje, ai ka marrë pjesë në miratimin e një vendimi të një juridiksioni më të ulët ose në qoftë se ka marrë pjesë në miratimin e vendimit të kundërshtuar.
Sigurisht, gjyqtari M.K. ka marrë pjesë në procedurën në suazën e së cilës është miratuar vendimi i kundërshtuar. Ai kryesonte kolegjin e Gjykatës së Qarkut të Osijekut, i cili e ka marrë vendimin (...) të 24 qershorit 1997 duke i dhënë fund procedurës kundër të pandehurit Fred Marguš në bazë të nenit 1 §§ 1 e 3 dhe të nenit 2 § 2 të Ligjit për amnisti të përgjithshme (...)
Ndonëse të dyja procedurat janë nisur kundër të njëjtit të pandehur, fjala nuk ishte për të njëjtën çështje. Gjyqtari në fjalë ka marrë pjesë në dy çështje të ndryshme për të cilat i qenë drejtuar Gjykatës së Qarkut të Osijekut kundër të njëjtit të pandehur. Në çështjen që ka qenë shkak për këtë apelim, Gjyqtari M.K. nuk ka marrë pjesë në miratimin e ndonjë vendimi të një juridiksioni më të ulët apo të ndonjë vendimi që është bërë objekt apelimi ose ankimi të jashtëzakonshëm.
(...)
Pa të drejtë, i pandehuri mbron mendimin se, duke e mbajtur seancën përmbyllëse në mungesë të tij dhe në mungesë të avokatit të tij pasi e kishte larguar nga salla e gjyqit gjatë konkluzioneve përfundimtare të palëve, gjykata e shkallës së parë ka shpërfillur nenin 346 § 4 dhe nenin 347 §§ 1 e 4 të KPP. I pandehuri thotë se është penguar kështu që të formulojë konkluzionet e tij përfundimtare. Ai shton se nuk e kanë informuar për drejtimin e seancës në mungesë të tij dhe se vendimi për ta larguar atë nga salla nuk është marrë nga kolegji i ngarkuar me çështjen.
Në kundërshtim me çka pretendon i pandehuri, nga procesverbali i seancës së mbajtur më 19 mars 1997 del se i pandehuri Fred Marguš e ka ndërprerë zëvendësprokurorin pranë Gjykatës së Qarkut [të Osijekut] ndërkohë që ky po paraqiste konkluzionet e tij përfundimtare dhe se ai është paralajmëruar dy herë nga kryetari i kolegjit. Meqenëse i pandehuri ka ngulmuar në sjelljen e tij, kolegji ka vendosur ta largojë nga salla e gjyqit (...)
Një masë e tillë nga ana e gjykatës së shkallës së parë është në përputhje me nenin 300 § 2 të KPP. I pandehuri Fred Marguš ka filluar të pengojë zhvillimin e seancës ndërkohë që [zëvendës]prokurori [pranë Gjykatës së Qarkut të Osijekut] po paraqiste konkluzionet e tij përfundimtare dhe ka ngulmuar në sjelljen e tij e, për rrjedhojë të kësaj, ai është larguar nga salla e gjyqit me një vendim të kolegjit. Ai ishte i pranishëm në sallën e gjyqit kur u shpall vendimi më 21 mars 2007.
Meqenëse gjykata e shkallës së parë ka vepruar plotësisht në përputhje me nenin 300 § 2 të KPP, apelimi i të pandehurit është i pabazuar. Në rastin e çështjes në fjalë, nuk ka pasur shkelje të të drejtave të mbrojtjes dhe largimi i të pandehurit nga salla e gjyqit gjatë konkluzioneve përfundimtare të palëve nuk ka pasur asnjë ndikim në vendimin e marrë.
(...)
I pandehuri Fred Marguš mbron për më tepër mendimin (...) se vendimi i kundërshtuar ka shkelur parimin “non bis in idem” (...) meqenëse i qenkësh dhënë fund procedurës për sa u përket disa prej akuzave që kanë çuar në këtë vendim (...)
(...)
Sigurisht që pranë Gjykatës së Qarkut të Osijekut është zhvilluar një procedurë penale me numrin K-4/97 kundër të pandehurit Fred Marguš lidhur konkretisht me katër akuza (...) për vrasje (...) ndaj personave S.B., V.B., N.V. dhe Ne.V., si edhe me veprën (...) e vënies në rrezik të jetës dhe të pasurive të tjetrit (...) Gjykata e Qarkut të Osijekut i ka dhënë fund kësaj procedure me vendimin e formës së prerë nr. Kv-99/97 (K‑4/97) të datës 24 qershor 1997 mbi bazën e Ligjit për amnisti të përgjithshme (...)
Ndonëse pasojat e veprave penale që ishin objekt i procedurës së zhvilluar pranë Gjykatës së Qarkut të Osijekut nën numrin K-4/97, konkretisht vrasjet e kryera ndaj personave S.B., V.B., N.V. dhe Ne.V., si edhe goditjet e plagosjet e rënda të shkaktuara ndaj Sl.B., bëjnë pjesë gjithashtu në kontekstin faktik [të veprave penale të shqyrtuara] në suazën e procedurës në përfundim të së cilës është marrë vendimi i kundërshtuar, veprat penale [e shqyrtuara në të dyja procedurat penale në fjalë] nuk janë të njëjtat.
Krahasimi midis konteksteve faktike [të veprave penale të shqyrtuara] në suazën e të dyja procedurave tregon se këto vepra nuk janë identike. Konteksti faktik [i veprave në fjalë] në vendimin e kundërshtuar përmban një element kriminal shtesë dhe ka një rëndësi shumë më të madhe sesa ai që është në zanafillë të procedurës së zhvilluar pranë Gjykatës së Qarkut të Osijekut nën numrin K-4/97. [Në çështjen e tanishme], i pandehuri Fred Marguš akuzohet se ka shkelur rregullat e Konventës së Gjenevës të 12 gushtit 1949 lidhur me mbrojtjen e personave civilë në kohë lufte dhe të Protokollit Shtesë të 8 qershorit 1977 të Konventave të Gjenevës të 12 gushtit 1949 lidhur me mbrojtjen e viktimave të konflikteve të armatosura jo ndërkombëtare (Protokolli II), ngaqë, në periudhën e përfshirë midis datave 20 dhe 25 nëntor 1991, ndërkohë që po mbronte një territor nga sulmet e armatosura të rebelëve të atyshëm serbë dhe të “Ushtrisë Popullore Jugosllave” në kuadrin e agresionit të kryer bashkërisht nga këta të fundit kundër rendit juridik kushtetues dhe tërësisë territoriale të Republikës së Kroacisë, ai, në shkelje të rregullave të së drejtës ndërkombëtare, ka vrarë e torturuar civilë, i ka trajtuar ata në mënyrë çnjerëzore, i ka arrestuar ata ilegalisht, ka urdhëruar vrasjen e një civili dhe ka vjedhur pasuri që u përkisnin civilëve. Veprimet e përshkruara këtu më sipër përbëjnë vepra në kundërshtim me vlerat e mbrojtura nga e drejta ndërkombëtare, e më saktësisht krime lufte ndaj popullsisë civile në kuptimin e nenit 120 § 1 të Kodit Penal.
Meqenëse konteksti faktik e cilësimi juridik i veprave në fjalë ndryshojnë nga ata të veprave që ishin objekt i procedurës së mëparshme dhe, për këtë arsye, serioziteti i akuzave që rëndojnë mbi të pandehurin Fred Marguš është i ndryshëm e dukshëm më i madh sesa në çështjen e mëparshme (dosja nr. K‑4/97), autoriteti i gjësë së gjykuar nuk mund të sillet si argument (...)”
25. Paditësi paraqiti më vonë një ankim për papajtueshmëri me Kushtetutën, të cilin Gjykata Kushtetuese e rrëzoi më 30 shtator 2009 duke iu bashkuar arsyetimit të Gjykatës së Lartë.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDSHME PËRKATËSE
A. E drejta përkatëse
26. Dispozita përkatëse e Kushtetutës kroate (Ustav Republike Hrvatske, Gazeta Zyrtare nr. 41/2001 dhe 55/2001) shprehet kështu:
Neni 31
“(...)
2. Askush nuk mund të ndiqet apo dënohet penalisht për arsye të një vepre për të cilën ai tashmë ka marrë pafajësi ose është dënuar me vendim të formës së prerë në përputhje me ligjin.
Rrethanat ose arsyet që mund të përligjin rihapjen e një procedure sipas paragrafit 2 të këtij neni mund të përcaktohen vetëm me ligj, në përputhje me Kushtetutën ose me një marrëveshje ndërkombëtare.”
27. Dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale (Zakon o kaznenom postupku, Gazeta Zyrtare nr. 110/1997, 27/1998, 58/1999, 112/1999, 58/2002, 62/2003, 178/2004 dhe 115/2006) janë këto:
Neni 300
“1. Kur personi i pandehur (...) pengon mbarëvajtjen e një seance ose nuk iu bindet urdhrave të kryetarit të gjykatës, ky i fundit e paralajmëron të pandehurin (...) Kolegji mund të urdhërojë që i pandehuri të largohet nga salla e gjyqit (...)
2. Kolegji mund të urdhërojë që i pandehuri të largohet nga salla e gjyqit për një kohë të kufizuar. Në qoftë se i pandehuri e pengon përsëri zhvillimin e debateve [ai mund të largohet nga salla e gjyqit] deri në përfundim të paraqitjes së mjeteve të provës. Kryetari e thërret atëherë të pandehurin para mbylljes së kësaj paraqitjeje dhe e informon rreth rrjedhës së gjyqit. Në qoftë se i pandehuri vazhdon të pengojë zhvillimin e seancës dhe bëhet fajtor për fyerje ndaj gjykatës, kolegji mund të urdhërojë përsëri largimin e tij nga salla e gjyqit. Në këtë rast, procesi përfundon në mungesë të të pandehurit dhe kryetari ose një anëtar tjetër i kolegjit i jep atij, në prani të një daktilografisteje, informacione rreth përmbajtjes së vendimit të marrë.
(...)”
Neni 350 (ish-neni 336)
“1. Vendimi mund të ketë lidhje vetëm me të pandehurin dhe me veprën e synuar në aktakuzë ashtu siç është paraqitur ajo fillimisht në seancë apo siç është ndryshuar gjatë kësaj të fundit.
2. Gjykata nuk kushtëzohet nga cilësimi juridik që u është dhënë fakteve nga prokurori.”[1]
Llojet e vendimeve
Neni 352
“1. Një vendim përfundon me rrëzimin e akuzave, me dhënien e pafajësisë për të akuzuarin ose me shpalljen fajtor të këtij të fundit
(...)”
Neni 354
“Një vendim për dhënie pafajësie merret në rastet e mëposhtme:
1. kur faktet për të cilat akuzohet i pandehuri nuk konsiderohen nga ligji si vepër penale;
2. kur disa rrethana e përjashtojnë fajësinë e të pandehurit;
3. kur nuk vërtetohet se i pandehuri e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.”
Neni 355
“Një vendim që nxjerr si përfundim fajësinë e të pandehurit duhet të përmendë elementet e mëposhtme:
1. veprën penale për të cilën i pandehuri njihet si fajtor, si edhe faktet e rrethanat që formojnë elementet përbërëse të kësaj vepre dhe ato ku bazohet zbatimi i një dispozite të veçantë të Kodit Penal;
2. emërtimin dhe përshkrimin ligjor të veprës penale, si edhe dispozitat e Kodit Penal që janë zbatuar;
3. dënimin që duhet të jepet ose dispozitat e Kodit Penal në bazë të të cilave përjashtohet një dënim apo në bazë të të cilave dënimi me burgim duhet të kthehet në punë me interes të përgjithshëm;
4. vendimin eventual për ta shoqëruar dënimin me një kusht;
5. vendimin eventual për të marrë masa sigurimi ose për të konfiskuar fitime materiale;
6. vendimin lidhur me kostot e shpenzimet si edhe me çdo padi civile eventuale, si edhe vendimin eventual për ta publikuar vendimin e formës së prerë nëpër medie;
(...)”
Neni 367
“1. Një mangësi e rëndë e procedurës penale vihet re kur
(...)
3. një seancë është mbajtur në mungesë të një personi prania e të cilit është e detyrueshme në bazë të ligjit (...)
(...)”
Rihapja e procedurës
Neni 401
“Një procedurë penale që ka përfunduar me një vendim të formës së prerë për pranueshmërinë ose për themelin mund të rihapet me kërkesën e një personi që ka kompetencë ligjore vetëm në rrethanat dhe sipas kushteve të përcaktuara në këtë kod”.
Neni 406
“1. Një procedurë penale që ka përfunduar me një vendim të formës së prerë i cili i rrëzon akuzat mund të rihapet në mënyrë përjashtimore në dëm të të pandehurit:
(...)
5) kur vërtetohet se amnistia, falja, parashkrimi ose rrethana të tjera të cilat e përjashtojnë ndjekjen penale nuk zbatohen për veprën penale të marrë parasysh në vendimin që i ka rrëzuar akuzat.
(...)”
Neni 408
“1. Gjykata kompetente për të marrë vendim rreth një kërkese për rihapje të një procedure është ajo që e ka shqyrtuar çështjen në shkallën e parë (...)
2. Kërkesa për rihapje duhet të tregojë bazën ligjore dhe elementet e provës mbi të cilat ajo mbështetet (...)
(...)”
Ankimi në interes të ligjit
Neni 418
“1. Prokurori i Përgjithshëm mund të paraqesë një ankim në interes të ligjit kundër një vendimi gjyqësor të formës së prerë dhe procedurës gjyqësore në përfundim të së cilës është marrë një vendim i tillë në rast se këta të fundit përbëjnë shkelje të ndonjë ligji.
2. Prokurori i Përgjithshëm duhet të paraqesë një ankim në interes të ligjit kundër çdo vendimi gjyqësor të marrë në përfundim të një procedure që ka përbërë shkelje të disave nga të drejtat e liritë themelore të njeriut të garantuara nga Kushtetuta, ligji ose e drejta ndërkombëtare.
(...)”
Neni 419
“1. Juridiksioni kompetent për të marrë vendim rreth ankimeve në interes të ligjit është Gjykata e Lartë e Republikës së Kroacisë.
(...)”
Neni 420
“1. Kur shprehet rreth një ankimi në interes të ligjit, Gjykata [e Lartë] shqyrton vetëm shkeljet e ligjit të denoncuara nga Prokurori i Përgjithshëm.
(...)”
Neni 422
“2. Kur një ankim në interes të ligjit paraqitet në dëm të të pandehurit dhe Gjykata [e Lartë] e gjykon atë si të bazuar, kjo e fundit kufizohet vetëm në përcaktimin e ekzistencës së një shkeljeje të ligjit, pa e ndryshuar vendimin e formës së prerë.”
28. Në zbatim të Kodit Penal (Kazeni zakon, Gazeta Zyrtare nr. 53/1991, 39/1992 dhe 91/1992), fajësia e një personi përjashtohet në rrethanat e mëposhtme: papërgjegjshmëri (neubrojivost), gabim ligjor ose gabim faktik.
29. Pjesët përkatëse të Ligjit për Amnisti të Përgjithshme të datës 24 shtator 1996 (Zakon o općem oprostu, Gazeta Zyrtare nr. 80/1996) shprehen kështu:
Neni 1
“Sipas këtij ligji, autorët e veprave penale që janë kryer gjatë agresionit, kryengritjes së armatosur ose konflikteve të armatosura në Republikën e Kroacisë ose që paraqesin një lidhje me ato ngjarje përfitojnë një amnisti të përgjithshme e cila shtrihet mbi të gjitha ndjekjet ose procedurat penale të drejtuara kundër tyre.
Në stadin e ekzekutimit të vendimeve të formës së prerë lidhur me autorët e veprave penale të marra parasysh në paragrafin e parë të këtij neni nuk jepet asnjë amnisti.
Amnistia shtrihet mbi të gjitha ndjekjet dhe procedurat penale lidhur me veprat e kryera ndërmjet datave 17 gusht 1990 dhe 23 gusht 1996.”
Neni 2
“Ndaj autorëve të veprave penale të marra parasysh në nenin 1 të këtij ligji nuk ngrihet asnjë ndjekje apo procedurë penale.
Nga ndjekjet penale të çelura tashmë hiqet dorë dhe çdo procedurë penale e nisur tashmë mbyllet me vendim gjykate të marrë kryesisht.
Çdo i burgosur i amnistuar në bazë të paragrafit të parë të këtij neni lirohet.”
Neni 3
“Asnjë amnisti nuk u jepet në bazë të nenit 1 të këtij ligji autorëve të shkeljeve më të rënda të së drejtës humanitare të cilat përbëjnë krime lufte, konkretisht: krimi i gjenocidit në kuptimin e nenit 119 të Kodit Penal Themelor të Republikës së Kroacisë (Gazeta Zyrtare nr. 31/1993, tekst përmbledhës, nr. 35/1993, 108/1995, 16/1996 dhe 28/1996); krimet e luftës kundër popullsisë civile në kuptimin e nenit 120 të të njëjtit kod; krimet e luftës kundër të plagosurve ose të sëmurëve në kuptimin e nenit 121; krimet e luftës kundër robërve të luftës në kuptimin e nenit 122 ; organizimi i grupimeve [me qëllim për të kryer] ose për të ndihmuar që të kryhen një gjenocid ose krime lufte në kuptimin e nenit 123; shkaktimi i paligjshëm i vdekjes ose i plagosjeve ndaj armikut në kuptimin e nenit 124; përvetësimi i paligjshëm i pasurive që u përkasin të vrarëve ose të plagosurve në fushën e betejës në kuptimin e nenit 125; përdorimi i pajisjeve të paligjshme luftarake në kuptimin e nenit 126; veprat e kryera kundër ndërmjetësuesve në kuptimin e nenit 127; trajtimi mizor i të plagosurve, i të sëmurëve ose i robërve të luftës në kuptimin e nenit 128; vonesat e papërligjura në riatdhesimin e robërve të luftës në kuptimin e nenit 129; shkatërrimi i trashëgimisë kulturore dhe historike në kuptimin e nenit 130; nxitja e luftës sulmuese në kuptimin e nenit 131; përdorimi pa të drejtë i simboleve ndërkombëtare në kuptimin e nenit 132; diskriminimi racial apo tjetër në kuptimin e nenit 133; skllavërimi dhe transporti i skllevërve në kuptimin e nenit 134; terrorizmi ndërkombëtar në kuptimin e nenit 135; vënia në rrezik e personave nën mbrojtje ndërkombëtare në kuptimin e nenit 136; marrja e pengjeve në kuptimin e nenit 137; dhe vepra penale e terrorizmit në kuptimin e dispozitave të së drejtës ndërkombëtare.
Asnjë amnisti nuk u jepet autorëve të veprave penale të parashikuara nga Kodi Penal Themelor (Gazeta Zyrtare nr. 31/1993, tekst përmbledhës, nr. 35/1993, 108/1995, 16/1996 e 28/1996) dhe nga Kodi Penal (Gazeta Zyrtare nr. 32/1993, tekst përmbledhës, nr. 38/1993, 28/1996 dhe 30/1996) i Republikës së Kroacisë, të cilat nuk janë kryer gjatë agresionit, kryengritjes së armatosur ose konflikteve të armatosura në Republikën e Kroacisë dhe nuk paraqesin lidhje me ato ngjarje.
(...)”
Neni 4
“Kur një gjykatë, mbi bazën e nenit 2 të këtij ligji, i ka dhënë një amnisti autorit të një vepre penale të mbuluar nga ky ligj mbi bazën e cilësimit juridik të zgjedhur nga Prokurori i Përgjithshëm, ky i fundit nuk mund të bëjë apel kundër vendimit.”
B. Praktika përkatëse
1. Praktika e Gjykatës Kushtetuese
30. Në vendimin e saj nr. U-III/543/1999 të datës 26 nëntor 2008, Gjykata Kushtetuese u shpreh veçanërisht si vijon:
“6. Gjykata Kushtetuese duhet të përcaktojë nëse ka pasur një shkallë të dytë gjykimi lidhur me ndonjë fakt që përbën atë vepër për të cilën është zbatuar Ligji për Amnisti të Përgjithshme dhe nëse jemi kështu në prani të “së njëjtës vepër”, rast në të cilin neni 31 § 2 i Kushtetutës e ndalon nisjen e një procedure të re më vete dhe të pavarur. Një procedurë e tillë do të përbënte shkelje të parimit të sigurisë juridike dhe do të mundësonte dhënien e sanksioneve të shumëfishta për një sjellje të vetme e të njëjtë e cila nuk mund të dënohet penalisht veçse një herë. Për të vendosur rreth kësaj pike, Gjykata Kushtetuese duhet të shqyrtojë a) nëse janë të ngjashëm me njëri-tjetrin përshkrimet e fakteve përbërës të veprave që i ngarkohen apeluesit në kuadrin e procedurës së parë dhe asaj të dytë, në mënyrë që të verifikojë nëse vendimi për zbatim të amnistisë dhe dënimi i formës së prerë në procedurën e dytë kanë lidhje me të njëjtin objekt, domethënë me të njëjtën “sasi penale”, pavarësisht nga pika nëse ata kanë të bëjnë ose jo me të njëjtat fakte historike; dhe pastaj (...) b) nëse çështja në fjalë ka të bëjë me një situatë në të cilën nuk ishte e mundur që të ngriheshin akuza të reja lidhur me faktet që kishin qenë tashmë objekt i vendimit të parë të gjykatave (atij që ka dhënë amnistinë) por në të cilën, në bazë të nenit 31 § 3 të Kushtetutës, ishte e mundur që të kërkohej rihapja e procedurës në përputhje me të drejtën përkatëse. Neni 406 § 1, pika 5, i Kodit të Procedurës Penale e lejon rihapjen e çdo procedure të përfunduar me një vendim të formës së prerë për rrëzim të akuzave kur “vërtetohet se amnistia, falja, parashkrimi ose rrethana të tjera të cilat e përjashtojnë ndjekjen penale nuk zbatohen për veprën penale të marrë parasysh në vendimin që i ka rrëzuar akuzat”.
6.1. Gjykata e Lartë mund ta shqyrtojë natyrën e ngjashme apo jo të përshkrimeve të fakteve përbërës të veprave vetëm në vështrimin e rregullave normative. Duke vepruar kështu, ajo kushtëzohet, ashtu si juridiksionet më të ulëta, nga elementet që i përbëjnë ato vepra penale, cilido qoftë cilësimi juridik i zgjedhur. Nga përshkrimet e fakteve që janë në zanafillë të akuzave të cilat figurojnë në vendimin e Gjykatës Ushtarake të Bjellovarit (nr. K-85/95-24) e në vendimin e Gjykatës së Lartë (nr. I-Kž-211/1998-3), si edhe në vendimet e kundërshtuara të Gjykatës së Qarkut të Sisakut (nr. K-108/97) e të Gjykatës së Lartë (nr. I Kž‑211/1998‑3), del e qartë se faktet janë të njëjtat por se ato thjesht janë cilësuar ndryshe. Të gjitha faktet përkatëse janë vërtetuar nga Gjykata Ushtarake e Bjellovarit (e cila e ka mbyllur procedurën) dhe në procedurën e mëvonshme pranë Gjykatës së Qarkut të Sisakut nuk është vërtetuar asnjë fakt i ri. E vetmja mospërputhje midis përshkrimeve të akuzave ka të bëjë me momentin e kryerjes së veprave, çka nuk nxjerr në pah një ndryshim mes faktesh, por pamundësinë e gjykatave për të vërtetuar se kur janë kryer saktësisht këto vepra. Është e udhës gjithashtu të vihet në dukje se Gjykata e Lartë, në vendimin e kundërshtuar, e ka theksuar se faktet ishin të njëjtat: njënjëshmëria e tyre nuk vihet pra në dyshim.
6.2. Në vendimin e saj, Gjykata e Lartë ka dalë në përfundimin se sjellja në fjalë përbënte jo vetëm veprën e kryengritjes së armatosur të parashikuar nga neni 235 § 1 i Kodit Penal të Republikës së Kroacisë dhe të marrë parasysh në vendimin që i rrëzonte akuzat, por edhe veprën e krimit të luftës kundër popullsisë civile në kuptimin e nenit 120 §§ 1 e 2 të Kodit Penal Themelor të Republikës së Kroacisë, për të cilën [apeluesi] është njohur më vonë fajtor. Nga arsyetimi i Gjykatës së Lartë del si rrjedhojë se e njëjta sjellje përbën bazën e të dyja veprave dhe se jemi në prani të një situate ku një akt i vetëm përbën disa vepra penale.
6.3. Për mendimin e Gjykatës Kushtetuese, është gabim që, në vendimin e kundërshtuar, Gjykata e Lartë ka dalë në përfundimin se i njëjti person, pas marrjes së një vendimi të formës së prerë lidhur me një akt të vetëm që përbën njëfarë vepre, mund të gjykohej përsëri në suazën e një procedure të re për të njëjtin akt të cilësuar ndryshe. Në bazë të nenit 336 § 2 të Kodit të Procedurës Penale, gjykata nuk kushtëzohet nga cilësimi që u ka dhënë fakteve prokurori. Për pasojë, në qoftë se Gjykata Ushtarake e Bjellovarit ishte e mendimit se faktet në zanafillë të akuzave përbënin krime lufte kundër popullsisë civile në kuptimin e nenit 120 § 1 të Kodit Penal Themelor të Republikës së Kroacisë, ajo ishte dashur ta deklaronte veten jo kompetente për të marrë vendim rreth çështjes (përderisa ajo nuk kishte kompetencë për të shqyrtuar krime lufte) dhe t’ia përcillte çështjen gjykatës kompetente, e cila do të kishte mundur ta dënonte [apeluesin] për krime lufte ndaj popullsisë civile, vepër për të cilën nuk mund të jepet asnjë amnisti. Përderisa Gjykata Ushtarake nuk ka vepruar kështu dhe vendimi i saj ishte me karakter të formës së prerë, vendimi për rrëzimin e akuzave është i veshur me autoritetin e gjësë së gjykuar. Prandaj, dënimi i mëvonshëm i të pandehurit në çështjen në fjalë ka përbërë një shkelje të rregullit non bis in idem pavarësisht nga fakti se pjesa arsyetuese e vendimit të parë nuk kishte të bënte me “themelin” – të kuptuar nganjëherë thjesht si zgjidhja e pyetjes nëse i pandehuri e ka kryer apo jo veprën. Dallimi i prerë midis një dhënieje pafajësie dhe një vendimi që i rrëzon akuzat nuk mund të jetë kriteri i vetëm që duhet të përdoret për t’iu përgjigjur pyetjes nëse për të njëjtën “sasi penale” mund të niset një procedurë e re penale më vete: duke figuruar në vendimin që i rrëzon akuzat, vendimi për dhënie të një amnistie, në kuptimin juridik, krijon të njëjtat pasoja juridike si një dhënie pafajësie, dhe në të dyja rastet mbetet e papërcaktuar një pikë që lidhet me faktet.
6.4. Për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese nuk mund ta pranojë arsyetimin e zgjedhur nga Gjykata e Lartë në vendimin e saj nr. I Kž-211/1998-3 të datës 1 prill 1999, sipas të cilit vendimi për themelin ose për pranueshmërinë i cili ka shpallur pushimin e procedurës për veprën penale të kryengritjes së armatosur lidhur me të njëjtën sjellje nuk e ndalonte që i pandehuri të ndiqej e të dënohej më vonë për krime lufte kundër popullsisë civile me arsyetimin se kjo vepër e fundit penale përbënte një kërcënim jo vetëm për vlerat e Republikës së Kroacisë, por edhe për njerëzimin në përgjithësi dhe për të drejtën ndërkombëtare. Madje, Gjykata e Lartë është shmangur më pas nga ky qëndrim në vendimin e saj të 18 shtatorit 2002 lidhur me çështjen Kž-8/00-3, ku ajo ka çmuar se vendimi që i rrëzonte akuzat “kishte të bënte pa asnjë dyshim me të njëjtin fakt nga të gjitha pikëpamjet (koha, vendi dhe mënyra e veprimit), por se ky fakt thjesht ishte cilësuar ndryshe në vendimin e kundërshtuar dhe në vendimin e Gjykatës Ushtarake të Zagrebit”. Gjykata e Lartë ka shtuar: “Përderisa, në çështjen në fjalë, është pushuar procedura penale lidhur me veprën e parashikuar nga neni 244 § 2 i Kodit Penal të Republikës së Kroacisë, dhe veprimet (...) janë identike me ato për të cilat [i pandehuri] është njohur fajtor në vendimin e kundërshtuar (...)në bazë të parimit non bis in idem të parashikuar nga neni 32 § 2 i Kushtetutës, nuk mund të niset një procedurë e re penale, meqenëse çështja është e gjykuar tashmë.”
(...)”
31. Vendimi nr. U-III-791/1997 i dhënë nga Gjykata Kushtetuese më 14 mars 2001 kishte të bënte me një situatë në të cilën, në bazë të Ligjit për Amnisti të Përgjithshme, i ishte dhënë fund procedurës penale të nisur ndaj të pandehurit. Pjesët përkatëse të këtij vendimi shprehen kështu:
“16. Dispozita kushtetuese e cila e përjashton mundësinë që një i pandehur të gjykohet për herë të dytë për një vepër penale për të cilën ai tashmë është “shpallur i pafajshëm ose dënuar me vendim të formës së prerë në përputhje me ligjin” i referohet ekskluzivisht një situate në të cilën është marrë një vendim në përfundim të një procedure penale në kuadrin e së cilës i pandehuri është shpallur i pafajshëm ose është gjetur fajtor për akuzat e parashtruara në aktakuzë.
(...)
19. (...) një vendim i cili nuk e ka shpallur të pandehurin të pafajshëm në formë të prerë, por që e pushon procedurën penale, nuk mund të përbëjë juridikisht një bazë për zbatimin e dispozitave kushtetuese rreth ndalimit të ndjekjes dhe të dënimit të një personi dy herë (...)”
2. Praktika e Gjykatës së Lartë
32. Pjesa përkatëse e vendimit nr. I Kž-533/00-3 të datës 11 dhjetor 2001 shprehet kështu:
“Në bazë të nenit 336 § 2 të Kodit të Procedurës Penale, një gjykatë nuk kushtëzohet prej cilësimit juridik që u është dhënë fakteve nga prokurori dhe ajo mund të marrë kështu vendim për një vepër penale të ndryshme, mjafton që kjo e fundit të jetë më e favorshme [për personin e akuzuar] (...)”
33. Pjesa përkatëse e vendimit nr. I Kž-257/02-5 të datës 12 tetor 2005 shprehet kështu:
“Duke qenë se në bazë të nenit 336 § 2 të Kodit të Procedurës Penale, një gjykatë nuk kushtëzohet prej cilësimit juridik që u është dhënë fakteve nga prokurori dhe se vepra penale e nxitjes për shpërdorim pushteti në fushën financiare e parashikuar nga neni 292 § 2 ndëshkohet me një dënim më të lehtë sesa vepra penale e parashikuar në nenin 337 § 4 të Kodit Penal, gjykata e shkallës së parë e kishte fuqinë për të thënë se aktet në fjalë përbënin veprën penale të parashikuar nga neni 292 § 2 të Kodit Penal (...)”.
34. Pjesa përkatëse e vendimit nr. I Kž-657/10-3 të datës 27 tetor 2010 shprehet kështu:
“Ndonëse gjykata e shkallës së parë ka deklaruar me të drejtë se një gjykatë nuk kushtëzohet prej cilësimit juridik që u është dhënë fakteve nga prokurori, ajo ka shkuar megjithatë përtej termave të aktakuzës përderisa e ka vënë të pandehurin në një situatë më pak të favorshme duke e dënuar atë për dy vepra penale në vend të një të vetmeje (...)”
III. INSTRUMENTET PËRKATËSE TË SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE
A. Konventa e Vjenës e vitit 1969 për të Drejtën e Traktateve
35. Pjesa përkatëse e Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve të 23 majit 1969 (“Konventa e Vjenës”) shprehet kështu:
Seksioni 3. Interpretimi i traktateve
Neni 31
Rregulli i përgjithshëm i interpretimit
“1. Një traktat do të interpretohet ndershmërisht në përputhje me kuptimin e zakonshëm që u jepet termave të traktatit në kontekstin e tyre dhe në dritën e objektit dhe qëllimit të tij.
2. Konteksti për qëllimin e interpretimit të një traktati do të përmbajë përveç tekstit edhe preambulën e shtojcat:
a) çdo marrëveshje të lidhur me traktatin e cila është bërë midis të gjitha palëve në lidhje me përfundimin e traktatit;
b) çdo instrument që është bërë nga një apo më shumë palë në lidhje me përfundimin e traktatit dhe të pranuar nga palët e tjera si një instrument i lidhur me traktatin.
3. Do të merren parasysh, së bashku me kontekstin:
a) çdo marrëveshje e mëtejshme midis palëve që ka lidhje me interpretimin e një traktati apo zbatimin e dispozitave të tij;
b) çdo praktikë pasuese në zbatimin e traktatit e cila përcakton marrëveshjen e palëve lidhur me interpretimin e tij;
c) ndonjë nga rregullat përkatëse të së drejtës ndërkombëtare të zbatueshme në marrëdhëniet midis palëve.
4. Një kuptim i veçantë do t’i jepet një termi nëse përcaktohet se kështu ishte menduar nga palët.”
Neni 32
Mjetet plotësuese të interpretimit
“Ndihmë mund t’u kërkohet mjeteve plotësuese të interpretimit, duke përfshirë punën përgatitore të traktatit dhe rrethanat e lidhjes së tij, me qëllim për të konfirmuar kuptimin që vjen nga zbatimi i nenit 31, ose për të përcaktuar kuptimin kur interpretimi sipas nenit 31:
a) e lë kuptimin të paqartë ose të errët; ose
b) çon në një rezultat i cili është haptazi absurd ose i paarsyeshëm.”
Neni 33
Interpretimi i traktateve të vërtetuar në dy apo më shumë gjuhë
“1. Kur një traktat është i vërtetuar si autentik në dy apo më shumë gjuhë, teksti ka njësoj fuqi në secilën nga ato gjuhë, nëse traktati nuk e parashikon apo nëse palët nuk bien dakord që në rast mosmarrëveshjeje do të ketë epërsi një tekst i caktuar.
2. Një version i traktatit në një gjuhë të ndryshme nga një prej atyre në të cilën teksti është i vërtetuar si autentik do të konsiderohet si tekst autentik vetëm nëse këtë e parashikon traktati apo nëse palët kanë rënë dakord kështu.
3. Termat e një traktati prezumohen të kenë të njëjtin kuptim në tekstet e ndryshme autentike.
4. Me përjashtim të rastit kur një tekst i caktuar ka epërsi në përputhje me paragrafin 1, në qoftë se krahasimi i teksteve autentike nxjerr në pah një ndryshim kuptimi të cilin nuk e eliminon dot zbatimi i neneve 31 dhe 32, atëherë do të merret ai kuptim që, duke pasur parasysh objektin dhe qëllimin e traktatit, i pajton më mirë ato tekste.”
B. Konventat e Gjenevës të vitit 1949 lidhur me mbrojtjen e viktimave të konflikteve të armatosura dhe protokollet e tyre shtesë
36. Pjesa përkatëse e nenit 3 të përbashkët për Konventat e Gjenevës të vitit 1949 shprehet si vijon:
Neni 3
“Në rast konflikti të armatosur që nuk është i karakterit ndërkombëtar e që ndodh në territorin e njërës nga Palët e Larta Kontraktuese, secila nga palët në konflikt detyrohet të zbatojë të paktën dispozitat e mëposhtme:
1) Personat që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në luftime, duke përfshirë aty anëtarët e forcave të armatosura që kanë ulur armët dhe personat që janë nxjerrë jashtë luftimi për shkak sëmundjeje, plagosjeje, mbajtjeje në burg ose për çdolloj shkaku tjetër, do të trajtohen në të gjitha rrethanat në mënyrë të njerëzishme, pa asnjë dallim me karakter të pafavorshëm mbi bazë race, ngjyre, feje ose besimi, gjinie, prejardhjeje ose pasurie, apo çfarëdo kriteri tjetër të ngjashëm.
Për këtë qëllim, janë dhe mbeten të ndaluara, kurdoherë e kudo, ndaj personave sipërpërmendur:
a) cenimi i jetës dhe i tërësisë trupore, sidomos vrasja në të gjitha trajtat e saj, gjymtimet, trajtimet mizore, torturat e mundimet;
b) marrjet e pengjeve;
c) cenimet e dinjitetit të personave, sidomos trajtimet fyese dhe poshtëruese;
d) dënimet e shpallura dhe ekzekutimet e kryera pa një vendim paraprak të dhënë nga një gjykatë e ngritur në mënyrë të rregullt, të shoqëruar me garancitë gjyqësore të njohura si të domosdoshme nga popujt e qytetëruar.
(...)”
37. Pjesët përkatëse Konventës (I) për përmirësimin e fatit të të plagosurve dhe të sëmurëve në forcat e armatosura në fushatë (Gjenevë, 12 gusht 1949 – “Konventa e Parë e Gjenevës”) shprehen kështu:
Kapitulli IX : Për shtypjen e shpërdorimeve dhe të veprave penale
Neni 49
“Palët e Larta Kontraktuese zotohen të marrin çdo masë të nevojshme ligjvënëse për të përcaktuar sanksionet e përshtatshme penale që duhet të zbatohen ndaj personave të cilët kanë kryer, ose kanë dhënë urdhër për të kryer, njërën ose tjetrën nga veprat e rënda ndaj kësaj Konvente, të përkufizuara në nenin pasues.
Secila Palë Kontraktuese do të ketë detyrimin që t’i kërkojë personat e pandehur se kanë kryer, ose se kanë urdhëruar për të kryer, njërën apo tjetrën nga këto vepra të rënda, dhe ajo duhet t’i çojë ata para gjykatave të veta, cilado qoftë kombësia e tyre. Gjithashtu, nëse e parapëlqen këtë gjë dhe sipas kushteve të parashikuara nga legjislacioni i vet, ajo do të mundë t’ia dorëzojë ata për gjykim një Pale tjetër Kontraktuese të interesuar për ndjekjen, me kusht që kjo Palë Kontraktuese të ketë zgjedhur akuza të mjaftueshme kundër këtyre personave.
(...)”
Neni 50
“Veprat e rënda të marra parasysh në nenin paraprirës janë ato që përmbajnë njërin ose tjetrin nga aktet e mëposhtme, nëse ato janë kryer ndaj personave ose pasurive që mbrohen prej Konventës: vrasjen me qëllim, torturën dhe trajtimet çnjerëzore, duke përfshirë këtu eksperimentet biologjike, shkaktimin e qëllimshëm të vuajtjeve të mëdha ose cenimet e rënda të tërësisë fizike apo të shëndetit, shkatërrimin e përvetësimin e pasurive, të cilët nuk përligjen me nevoja të domosdoshme ushtarake dhe që shkaktohen në shkallë të gjerë në mënyrë të paligjshme e arbitrare.”
38. Nenet 50 dhe 51 të Konventës (II) për përmirësimin e fatit të të plagosurve, të sëmurëve dhe anijembyturve të forcave të armatosura në det (Gjenevë, 12 gusht 1949 – “Konventa e Dytë e Gjenevës”) kanë të njëjtin formim si nenet 49 e 50 të Konventës së Parë të Gjenevës.
39. Nenet 129 dhe 130 të Konventës (III) për trajtimin e robërve të luftës (Gjenevë, 12 gusht 1949 – “Konventa e Tretë e Gjenevës”) përsërisin gjithashtu të njëjtin formulim si nenet 49 e 50 të Konventës së Parë të Gjenevës.
40. Formulimi i neneve 49 dhe 50 të Konventës së Parë të Gjenevës gjendet gjithashtu te nenet 146 e 147 të Konventës (IV) lidhur me mbrojtjen e personave civilë në kohë lufte (Gjenevë, 12 gusht 1949 – “Konventa e Katërt e Gjenevës”).
41. Pjesa përkatëse e Protokollit të Dytë Shtojcë të Konventave të Gjenevës lidhur me mbrojtjen e viktimave të konflikteve të armatosura jo ndërkombëtare (Gjenevë, 8 qershor 1977) shprehet kështu:
Neni 4
“1. Të gjithë personat që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt ose nuk marrin më pjesë në luftime, qofshin ata të privuar nga liria ose jo, kanë të drejtën për respektim të personit të tyre, të nderit të tyre, të bindjeve të tyre dhe të praktikave të tyre fetare. Në çdo rrethanë, ata do të trajtohen me njerëzi, pa asnjë dallim me karakter të pafavorshëm. Është e ndaluar të jepet urdhër që të mos lihet askush gjallë.
2. Pa e dëmtuar karakterin e përgjithshëm të dispozitave që paraprijnë, janë dhe mbeten të ndaluara kurdoherë e kudo ndaj personave të përmendur në paragrafin 1:
a) cenimet ndaj jetës, shëndetit e mirëqenies fizike ose mendore të personave, veçanërisht vrasja, si edhe trajtimet mizore si tortura, gjymtimet ose të gjitha trajtat e dënimeve trupore; (...)”
Neni 6
“(...)
5. Në pushimin e luftimeve, autoritetet në pushtet do të përpiqen që t’u japin amnisti sa më të gjerë personave që do të kenë marrë pjesë në konfliktin e armatosur ose të cilëve do t’u jetë hequr liria për arsye në lidhje me konfliktin e armatosur, qofshin ata të burgosur ose robër.”
Neni 13
“1. Popullsia civile dhe personat civilë gëzojnë një mbrojtje të përgjithshme ndaj rreziqeve që vijnë si rezultat i operacioneve ushtarake. Për ta bërë efektive këtë mbrojtje, në të gjitha rrethanat do të zbatohen rregullat e mëposhtme.
2. As popullsia civile si e tillë, as personat civilë nuk duhet të jenë objekt sulmesh. Ndalohen veprimet ose kanosjet me dhunë, qëllimi kryesor i të cilave është që të përhapin tmerrin mes popullsisë civile.
3. Personat civilë e gëzojnë mbrojtjen që jepet në këtë Titull, me përjashtim të rastit nëse ata marrin pjesë drejtpërdrejt në luftime dhe për aq kohë sa zgjat kjo pjesëmarrje.”
C. Konventa për Parandalimin dhe Shtypjen e Krimit të Gjenocidit[2]
42. Pjesët përkatëse të këtij instrumenti shprehen kështu:
Neni i Parë
“Palët Kontraktuese pohojnë se gjenocidi, qoftë ai i kryer në kohë paqeje ose në kohë lufte, është një krim sipas së drejtës ndërkombëtare publike, të cilin ato zotohen ta parandalojnë e ta dënojnë.”
Neni IV
“Personat që kanë kryer gjenocid ose cilindo nga aktet e tjera të përmendura në nenin III do të dënohen, qofshin ata qeveritarë, nëpunës apo individë.”
Neni V
“Palët Kontraktuese zotohen të marrin, në përputhje me kushtetutat e tyre përkatëse, masat e nevojshme legjislative për të siguruar zbatimin e dispozitave të kësaj Konvente, e sidomos për të parashikuar sanksione penale të efektshme ndaj personave fajtorë për gjenocid ose për një cilindo nga aktet e tjera të numëruara në nenin III.”
D. Konventa për Mosparashkrimin e Krimeve të Luftës dhe të Krimeve kundër Njerëzimit[3]
43. Pjesët përkatëse të këtij instrumenti shprehen kështu:
Neni 1
“Krimet e mëposhtme janë të paparashkrueshme, cilado qoftë data në të cilën ato janë kryer:
a) Krimet e luftës, ashtu siç përkufizohen në Statutin e Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut të datës 8 gusht 1945 dhe pohohen nga Rezolutat 3 (I) dhe 95 (I) të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në datat 13 shkurt 1946 dhe 11 dhjetor 1946, sidomos “veprat e rënda” të numëruara në Konventat e Gjenevës të 12 gushtit 1940 për mbrojtjen e viktimave të luftës;
b) Krimet kundër njerëzimit, qofshin ato të kryera në kohë lufte apo në kohë paqeje, ashtu siç përkufizohen ato në Statutin e Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut të datës 8 gusht 1945 dhe pohohen nga Rezolutat 3 (I) dhe 95 (I) të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në datat 13 shkurt 1946 dhe 11 dhjetor 1946, dëbimi me një sulm të armatosur ose pushtimi dhe aktet çnjerëzore që rrjedhin nga politika e aparteidit, si edhe krimi i gjenocidit, ashtu siç përkufizohet ai në Konventën e vitit 1948 për Parandalimin dhe Shtypjen e Krimit të Gjenocidit, edhe në qoftë se këto akte nuk përbëjnë ndonjë shkelje të së drejtës së brendshme të vendit ku janë kryer.”
Neni 2
“Në qoftë se është kryer ndonjë nga krimet e përmendura në nenin e parë, dispozitat e kësaj Konvente do të zbatohen ndaj përfaqësuesve të autoritetit të shtetit dhe ndaj individëve që mund të kenë marrë pjesë në të si autorë a si bashkëpunëtorë, apo që mund të jenë bërë fajtorë për nxitje të drejtpërdrejtë për kryerjen e cilitdo nga ato krime apo që mund të kenë marrë pjesë në një marrëveshje për kryerjen e tij, cilado qoftë shkalla e ekzekutimit, si edhe ndaj përfaqësuesve të autoritetit shtetëror që mund të ketë bërë lëshime duke lejuar kryerjen e tij.”
Neni 3
“Shtetet Palë në këtë Konventë zotohen të miratojnë të gjitha masat e brendshme, të rendit legjislativ ose tjetër, që mund të nevojiten për të mundësuar, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ekstradimin e personave të marrë parasysh në nenin 2 të kësaj Konvente.”
Neni 4
“Shtetet Palë në këtë Konventë zotohen të marrin, në përputhje me procedurat e tyre kushtetuese, të gjitha masat legjislative apo të tjera që mund të nevojiten për të siguruar mosparashkrimin e krimeve të synuara në nenin 2 të kësaj Konvente, si për sa i përket ndjekjes penale, ashtu edhe për sa i përket dënimit; aty ku parashkrimi mund të ekzistojë në këtë fushë, në bazë të ligjit apo ndryshe, ai do të ndalohet.”
E. Statuti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare
44. Neni 20 i Statutit shprehet kështu:
Ne bis in idem
“1. Me përjashtim të ndonjë dispozite të kundërt të këtij Statuti, askush nuk mund të gjykohet nga Gjykata për akte që përbëjnë krime për të cilat ai është dënuar ose falur tashmë prej saj.
2. Askush nuk mund të gjykohet nga një juridiksion tjetër për një krim të parashikuar në nenin 5, për të cilin ai është dënuar ose falur tashmë nga Gjykata.
3. Cilido që është gjykuar nga një juridiksion tjetër për një sjellje të parashikuar gjithashtu edhe në nenet 6, 7 ose 8 mund të gjykohet nga Gjykata vetëm në qoftë se procedura para juridiksionit tjetër:
a) kishte për qëllim që ta shpëtonte personin në fjalë nga përgjegjësia e tij penale për disa krime që i përkasin kompetencës së Gjykatës; ose
b) nuk është kryer për më tepër në mënyrë të pavarur apo asnjanëse, në respektim të garancive të një procesi të drejtë të parashikuara nga e drejta ndërkombëtare, por në një mënyrë që, në ato rrethana, ishte e papajtueshme me qëllimin për ta nxjerrë të interesuarin para drejtësisë.”
F. Rregullat zakonore dhe e drejta ndërkombëtare humanitare
45. I pajisur me mandat nga shtetet e mbledhura në Konferencën e 26-të Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) paraqiti më 2005 një studim në dy vëllime mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare zakonore (Droit international humanitaire coutumier, nën drejtimin e J.-M. Henckaerts dhe L. Doswald-Beck, Cambridge University Press & CICR, 2005). Ky studim paraqet një listë rregullash zakonore të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Rregulli 159, i cili ka të bëjë me konfliktet e armatosura jo ndërkombëtare, shprehet kështu:
“Në pushimin e luftimeve, autoritetet në pushtet duhet të përpiqen që t’u japin amnisti sa më të gjerë personave që do të kenë marrë pjesë në konfliktin e armatosur jo ndërkombëtar ose të cilëve do t’u jetë hequr liria për arsye në lidhje me konfliktin e armatosur, me përjashtim të personave të dyshuar ose të akuzuar për krime lufte dhe të dënuar për krime lufte.”
G. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara
Rezoluta për situatën në Kroaci, 1120 (1997), 14 korrik 1997
46. Pjesët përkatëse të kësaj rezolute shprehen kështu:
“Këshilli i Sigurimit
(...)
7. I kërkon me këmbëngulje Qeverisë së Republikës së Kroacisë që të shmangë dykuptimësitë lidhur me vënien në jetë të Ligjit për Amnisti dhe ta zbatojë atë në mënyrë të drejtë e objektive në përputhje me normat ndërkombëtare, sidomos duke i shpënë deri në fund me sukses të gjitha hetimet rreth krimeve që janë objekt i kësaj amnistie dhe duke ndërmarrë menjëherë, me pjesëmarrjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe të popullsisë serbe të atyshme, një shqyrtim të plotë të të gjitha akuzave kundër personave që kanë kryer shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare të cilat nuk përbëjnë objektin e amnistisë, me qëllim që t’u jepet fund procedurave të nisura kundër të gjithë personave për të cilët janë të pamjaftueshme elementet e provave;
(...)”
H. Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike
47. Neni 7 i këtij instrumenti shprehet kështu:
“Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës as dënimeve apo trajtimeve mizore, çnjerëzore ose poshtëruese. Në veçanti, është e ndaluar që një person t’i nënshtrohet pa pëlqimin e tij të lirë një eksperimenti mjekësor ose shkencor.”
I. Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara
1. Vërejtja e Përgjithshme 20, neni 7 (sesioni i dyzetekatërt, 1992)
48. Më 1994, Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara vuri re në Vërejtjen e tij të Përgjithshme nr. 20 lidhur me nenin 7 të Paktit Ndërkombëtar lidhur me të Drejtat Civile dhe Politike se disa shtete e kishin dhënë amnistinë për disa akte torture, duke shtuar se “amnisti[a] është në përgjithësi e papajtueshme me detyrën që kanë shtetet për të hetuar rreth akteve të tilla, për të garantuar mbrojtjen kundër akteve të tilla në juridiksionin e tyre dhe për t’u kujdesur që ato të mos përsëriten më në të ardhmen. Shtetet nuk mund t’ua heqin individëve të drejtën për një ankim të dobishëm, duke përfshirë aty edhe të drejtën për zhdëmtim dhe për rehabilitim sa më të plotë.”
2. Vërejtjet përfundimtare, Liban, 1 prill 1997
49. Paragrafi 12 i këtyre vërejtjeve shprehet kështu:
“Komiteti vë re me shqetësim amnistinë që u është dhënë personave civilë e ushtarakë të cilët mund të kenë kryer shkelje të të drejtave themelore ndaj civilëve gjatë luftës civile. Një amnisti kaq e përgjithshme mund të pengojë që të hetohen e të dënohen ashtu si duhet përgjegjësit e shkeljeve të kaluara të të drejtave të njeriut, të bëjë të dështojë përpjekja e nisur për të vendosur respektimin e të drejtave të njeriut dhe të përbëjë një pengesë për veprimin e ndërmarrë për të përforcuar demokracinë.”
3. Vërejtjet përfundimtare, Kroaci, 30 prill 2001
50. Paragrafi 11 i këtyre vërejtjeve shprehet kështu:
“Komiteti shqetësohet rreth pasojave të Ligjit për Amnisti. Sado që është e vërtetë se ligji e saktëson që amnistia nuk zbatohet ndaj krimeve të luftës, termi “krime lufte” nuk është përkufizuar, nga ku rrjedh rreziku që ligji të zbatohet në mënyrë të tillë që t’u sigurojë pandëshkueshmëri personave të akuzuar për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Komiteti shpreh keqardhjen që atij nuk i janë dhënë informacione rreth çështjeve në të cilat Ligji për Amnisti është interpretuar e zbatuar nga gjykatat.
Shteti palë duhet të kujdeset që në praktikë Ligji për Amnisti të mos zbatohet ose përdoret për t’u siguruar pandëshkueshmëri personave që akuzohen për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.”
4. Vërejtja e Përgjithshme nr. 31 [80]: Natyra e detyrimit juridik të përgjithshëm që u diktohet shteteve palë në Pakt, 26 maj 2004
“18. Kur hetimet e përmendura në paragrafin 15 zbulojnë shkeljen e disa të drejtave të njohura te Pakti, Shtetet Palë duhet të kujdesen në mënyrë që personat përgjegjës të nxirren para drejtësisë. Ashtu si në rastin kur një shtet palë i shmanget kryerjes së një hetimi, mosnxjerrja para drejtësisë e autorëve të shkeljeve të tilla mund të shkaktojë nga ana e saj një shkelje më vete të Paktit. Këto detyrime kanë të bëjnë në veçanti me ato shkelje që barazohen me krime në vështrim të së drejtës kombëtare e ndërkombëtare, si tortura dhe trajtimet mizore, çnjerëzore ose poshtëruese të ngjashme me të (neni 7), ekzekutimet pa gjyq e arbitrare (neni 6) dhe zhdukjet me pahir (nenet 7 e 9 dhe, shpeshherë, neni 6). Madje, problemi i pandëshkueshmêrisë së autorëve të këtyre shkeljeve, një çështje kjo që e shqetëson vazhdimisht Komitetin, mund të jetë vërtet një faktor i rëndësishëm që ndikon në përsëritjen e këtyre shkeljeve. Kur kryhen në kuadrin e një sulmi në shkallë të gjerë ose sistematik kundër një popullsie civile, këto shkelje të Paktit përbëjnë krime kundër njerëzimit (shih Statutin e Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, neni 7).
Për pasojë, kur del që nëpunësit ose agjentët e shtetit i kanë shkelur ato të drejta të parashtruara në këtë Pakt të cilat përmenden në këtë paragraf, Shtetet Palë në fjalë nuk mund t’i zhveshin autorët nga përgjegjësia e tyre personale, siç ka ndodhur në rastin e disa amnistive (shih Vërejtjen e Përgjithshme nr. 20 (44)) dhe imuniteteve paraprake. Përveç kësaj, asnjë status zyrtar nuk e përligj që persona të akuzuar si përgjegjës për shkelje të tilla të zhvishen nga përgjegjësia e tyre juridike.
(...)”
J. Konventa kundër Torturës dhe Dënimeve a Trajtimeve të Tjera Mizore, Çnjerëzore ose Poshtëruese[4]
51. Pjesët përkatëse të këtij instrumenti shprehen kështu:
Neni 4
“1. Çdo Shtet Palë kujdeset që të gjitha aktet e torturës të përbëjnë vepra në vështrimin e së drejtës së tij penale. Po ashtu veprohet lidhur me tentativën për ta praktikuar torturën apo me çdo akt të kryer nga cilido person e që përbën bashkëfajësi ose pjesëmarrje në aktin e torturës.
2. Çdo Shtet Palë bën që këto vepra të mund të ndëshkohen me dënime të përshtatshme të cilat e marrin parasysh seriozitetin e tyre.”
Neni 7
“1. Në qoftë se Shteti Palë, në territorin nën juridiksionin e të cilit zbulohet autori i pandehur i një vepre të parashikuar në nenin 4, nuk e ekstradon këtë të fundit, ai ua parashtron çështjen, në rastet e parashikuara në nenin 5, autoriteteve të tij kompetente për ushtrimin e padisë penale.
(...)”
Neni 12
“Çdo Shtet Palë kujdeset që autoritetet kompetente të kryejnë menjëherë një hetim të paanshëm sa herë që të ketë motive të arsyeshme për të besuar se në çfarëdo territori nën juridiksionin e tij është kryer një akt torture.”
Neni 13
“Çdo Shtet Palë i siguron cilitdo që pretendon se i është nënshtruar torturës në çfarëdo territori nën juridiksionin e tij të drejtën për të ngritur padi pranë autoriteteve kompetente të shtetit në fjalë, të cilat do ta marrin në shqyrtim çështjen e tij në mënyrë të menjëhershme e të paanshme. Për ta siguruar mbrojtjen e paditësit dhe të dëshmitarëve nga çdo keqtrajtim a frikësim për arsye të padisë së paraqitur apo të çfarëdo deponimi të bërë, do të merren masa.”
Neni 14
“1. Çdo Shtet Palë, brenda sistemit të tij juridik, i garanton viktimës së një akti torture të drejtën për të marrë zhdëmtim dhe shpërblim të drejtë e të përshtatshëm, duke përfshirë edhe mjetet e nevojshme për rehabilitimin e tij sa më të plotë. Në rast vdekjeje të viktimës si pasojë e një akti torture, trashëgimtarët e saj kanë të drejtë për zhdëmtim.
2. Ky nen nuk përjashton asnjë të drejtë për zhdëmtim që mund të ketë viktima apo cilido person tjetër në bazë të ligjeve kombëtare.”
K. Komisioni i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara
52. Pjesët përkatëse të rezolutave për pandëshkueshmërinë, të miratuara nga ky organ, shprehen kështu:
1. Rezoluta 2002/79, 25 prill 2002, dhe Rezoluta 2003/72, 25 prill 2003
“Komisioni i të Drejtave të Njeriut
(...)
2. Nënvizon gjithashtu se është me rëndësi që të merren të gjitha masat e nevojshme dhe të mundshme në mënyrë që autorët e shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare lidhur me të drejtat e njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare, si edhe bashkëpunëtorët e tyre, të detyrohen të japin llogari për aktet e tyre, e pranon që nuk duhet të ketë amnisti në favor të autorëve të shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare lidhur me të drejtat e njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare të cilat përbëjnë vepra të rënda dhe i fton me ngulm shtetet që të veprojnë në përputhje me detyrimet e tyre në bazë të së drejtës ndërkombëtare;
(...)”
2. Rezoluta 2004/72, 21 prill 2004
“Komisioni i të Drejtave të Njeriut
(...)
3. Çmon gjithashtu se autorët e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare të cilat përbëjnë krime nuk duhet të përfitojnë amnisti, i fton me ngulm shtetet për të vepruar në përputhje me detyrimet e tyre në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe mirëpret me kënaqësi heqjen e shfuqizimin e amnistive dhe të imuniteteve të tjera ose heqjen dorë nga të parat dhe të dytat.
(...)”
3. Rezoluta 2005/81, 21 prill 2005
“Komisioni i të Drejtave të Njeriut
(...)
3. Çmon gjithashtu se autorët e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare të cilat përbëjnë krime nuk duhet të përfitojnë amnisti, i fton me ngulm shtetet për të vepruar në përputhje me detyrimet e tyre në bazë të së drejtës ndërkombëtare, dhe mirëpret me kënaqësi heqjen e shfuqizimin e amnistive dhe të imuniteteve të tjera ose heqjen dorë nga të parat dhe të dytat, si edhe mban shënim përveç kësaj konkluzionin e Sekretarit të Përgjithshëm se marrëveshjet e paqes që gëzojnë miratimin e OKB-së nuk mund të premtojnë kurrsesi amnistinë për aktet e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës ose cenimet e rënda të të drejtave të njeriut;
(...)”
L. Parlamenti Evropian
Rezoluta A3-0056/93, 12 mars 1993
53. Pjesa përkatëse e Rezolutës për të drejtat e njeriut në botë dhe politikën komunitare në këtë fushë gjatë periudhës 1991-1992 shprehet kështu:
“Parlamenti Evropian
(...)
7. çmon se problemi i pandëshkueshmërisë (...) mund të marrë trajtën e amnistive, të imuniteteve si edhe të juridiksioneve të posaçme dhe bëhet pengesë për demokracinë duke i falur, në të vërtetë, cenimet e të drejtave të njeriut nga personat përgjegjës dhe duke i trazuar viktimat e tyre;
8. deklaron se nuk mund të bëhet fjalë për pandëshkueshmëri për personat përgjegjës për krime lufte në ish-Jugosllavi (...)”
M. Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Torturën
Raporti i pestë, UN Doc. E/CN.4/1998/38, 24 dhjetor 1997
54. Më 1998, në konkluzionet dhe rekomandimet e raportit të tij të pestë për çështjen e të drejtave të njeriut të të gjithë personave të nënshtruar ndaj një trajte të çfarëdoshme ndalimi apo burgimi, e sidomos torture dhe dënimesh a trajtimesh të tjera mizore, çnjerëzore ose poshtëruese, Raportuesi i Posaçëm i Komisionit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara deklaroi lidhur me projektstatutin e një Gjykate Penale Ndërkombëtare:
“228. Lidhur me këtë, Raportuesi i Posaçëm e di që është hedhur fjala se dhënia e amnistisë në nivel kombëtar mund të pengojë ushtrimin e kompetencës së gjykatës së projektuar. Ai çmon se një nismë e tillë do të përmbyste jo vetëm thjesht projektin e shqyrtuar, por edhe ligjshmërinë e rendit juridik ndërkombëtar në përgjithësi. Kjo do ta komprometonte rëndë vetë qëllimin e gjykatës, duke u lejuar shteteve që, përmes ligjeve të tyre, t’i nxjerrin shtetasit jashtë kompetencës së saj. Kjo do ta minonte ligjshmërinë e rendit juridik ndërkombëtar, sepse – dhe ky parim është absolut – shtetet nuk mund t’i referohen të drejtës së tyre të brendshme për t’iu shmangur detyrimeve të tyre sipas së drejtës ndërkombëtare. Meqenëse e drejta ndërkombëtare i detyron shtetet që t’i dënojnë llojet e krimeve të parashikuara në projektstatutin e gjykatës në përgjithësi, e torturën në veçanti, dhe që t’i shpien autorët e tyre para drejtësisë, amnistia e këtyre krimeve përbën ipso facto një shkelje të detyrimit të shtetit të interesuar për t’i çuar autorët para drejtësisë. (...)”
N. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (GjPNJ)
55. Pjesa përkatëse e çështjes Furundžija (vendim i 10 dhjetorit 1998) shprehet kështu:
“155. Fakti që tortura është e ndaluar me një normë urdhëruese të së drejtës ndërkombëtare ka efekte të tjera në shkallën ndërshtetërore dhe në atë individuale. Në shkallën ndërshtetërore, ajo shërben për t’ia hequr ndërkombëtarisht legjitimitetin çdo akti legjislativ, administrativ ose gjyqësor që e lejon torturën. Do të ishte diçka e pakuptimtë që, nga njëra anë, të pohohej se, duke pasur parasysh vlerën si jus cogens për ndalimin e torturës, traktatet ose rregullat zakonore që e parashikojnë torturën janë të pavlefshme e të paqena, ab initio, dhe që, nga ana tjetër, t’u lihej dorë e lirë shteteve të cilët, për shembull, marrin masa kombëtare që e lejojnë ose e tolerojnë praktikimin e torturës apo i amnistojnë torturuesit. Sikur të paraqitej një situatë e tillë, ato masa kombëtare që shkelin parimin e përgjithshëm dhe të gjitha dispozitat përkatëse të konventave do të shkaktonin efektet juridike të përmendura më lart dhe, për më tepër, nuk do të njiheshin nga bashkësia ndërkombëtare. Viktimat potenciale do të kishin mundësi që, nëse e kanë aftësinë juridike për këtë, të nisnin një padi pranë një instance gjyqësore kombëtare ose ndërkombëtare kompetente për të siguruar shpalljen e asaj mase kombëtare si në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare; ato do të mundnin më tej të nisnin një padi për zhdëmtim pranë një juridiksioni të huaj, i cili do të ftohej në këtë mënyrë që, veçanërisht, të mos e merrte fare parasysh vlerën juridike të aktit kombëtar që e lejonte torturën. Çka është edhe më e rëndësishme, torturuesit ekzekutues ose përfitues nga këto masa kombëtare mund të mbahen prapëseprapë si përgjegjës për torturën, qoftë në një shtet të huaj, qoftë edhe në vetë shtetin e tyre, nën një regjim të mëvonshëm. Me një fjalë, individët janë të detyruar që ta respektojnë parimin e ndalimit të torturës, edhe sikur instancat ligjvënëse ose gjyqësore kombëtare ta lejojnë shkeljen e tij. Siç e vinte në dukje Gjykata Ushtarake Ndërkombëtare e Nurembergut, “detyrimet ndërkombëtare që u diktohen individëve kanë epërsi mbi detyrën e tyre për bindje ndaj shtetit qytetarë të të cilit ata janë”.”
O. Konventa Amerikane për të Drejtat e Njeriut[5]
56. Pjesët përkatëse të këtij instrumenti shprehen kështu:
Neni 1. Detyrimi për t’i respektuar të drejtat
“1. Shtetet Palë zotohen që t’i respektojnë të drejtat dhe liritë e njohura në këtë Konventë dhe që t’ia garantojnë ushtrimin e tyre të lirë e të plotë çdo personi që është në varësi të kompetencës së tyre, pa kurrfarë dallimi të bazuar mbi racën, ngjyrën, gjininë, gjuhën, fenë, opinionet politike apo të tjera, prejardhjen kombëtare ose shoqërore, gjendjen ekonomike, shtresën familjare apo çdo gjendje tjetër shoqërore.
2. Në kuptimin e kësaj Konvente, çdo qenie njerëzore është një person.”
P. Komisioni Ndëramerikan për të Drejtat e Njeriut
1. Çështja 10.287 (Salvador), raporti i 24 shtatorit 1992
57. Masakrat e kryera më 1983 në Las Hojas, në Salvador, gjatë të cilave mendohet se janë vrarë rreth 74 persona nga pjesëtarë të forcave të armatosura salvadoriane me pjesëmarrjen e disa pjesëtarëve të mbrojtjes civile, qenë shkak për një peticion drejtuar Komisionit Ndëramerikan për të Drejtat e Njeriut. Në raportin që ky paraqiti më 1992 rreth asaj çështjeje, u formuluan konsideratat e mëposhtme:
“(...) zbatimi [i Ligjit të Amnistisë për Qëllim të Pajtimit Kombëtar, të miratuar më 1987 nga Salvadori] përbën një shkelje flagrante të detyrimit të qeverisë salvadoriane për të hetuar rreth shkeljeve të të drejtave të viktimave të Las Hojas, për të vendosur sanksione ndaj personave përgjegjës dhe për të shlyer dëmet e shkaktuara nga këto shkelje.
(...)
Zbatimi në këto çështje i ligjit për amnisti, me përjashtimin e çdolloj mundësie për ndreqje gjyqësore në raste vrasjeje, trajtimesh çnjerëzore dhe mosrespektimi të garancive gjyqësore, është një mohim i natyrës themelore të të drejtave më elementare të njeriut. Ai i zhduk ato mjete që janë ndoshta më të efektshmet për njëmendësimin e këtyre të drejtave, konkretisht procesin dhe dënimin e personave përgjegjës.”
2. Raporti për gjendjen e të drejtave të njeriut në Salvador, Dok. OEA/Ser.L/II.85 Doc. 28 rev. (1 qershor 1994)
58. Më 1994, në një raport për gjendjen e të drejtave të njeriut në Salvador, Komisioni Ndëramerikan për të Drejtat e Njeriut u shpreh kështu lidhur me Ligjin salvadorian të Amnistisë së Përgjithshme për Konsolidimin e Paqes:
“(...) pavarësisht nga nevojat e ngutshme që rridhnin prej negociatave të paqes dhe nga konsiderata thjesht politike, Ligji tejet radikal i Amnistisë së Përgjithshme [për Konsolidimin e Paqes] i miratuar nga Asambleja Legjislative salvadoriane përmban një shkelje të detyrimeve ndërkombëtare që i takojnë Salvadorit qëkurse ai ka ratifikuar Konventën Amerikane për të Drejtat e Njeriut, përderisa ky ligj lejon një “amnisti të ndërsjellë” pa kurrfarë njohjeje paraprake të përgjegjësive, zbatohet për krime kundër njerëzimit dhe përjashton, pikësëpari për viktimat, çdolloj mundësie për të fituar një zhdëmtim të përshtatshëm financiar.”
3. Çështja 10.480 (Salvador), raporti i 27 janarit 1999
59. Më 1999, në një raport rreth një çështjeje lidhur me Ligjin e Amnistisë së Përgjithshme për Konsolidimin e Paqes, të miratuar nga Salvadori më 1993, Komisioni Ndëramerikan për të Drejtat e Njeriut iu përmbajt arsyetimit të mëposhtëm:
“113. Komisioni nënvizon se [ligji i lartpërmendur] është zbatuar për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut të kryera në Salvador midis 1 janarit 1980 dhe 1 janarit 1992, sidomos për dhunimet që janë shqyrtuar e vërtetuar nga Komisioni i së Vërtetës. Në veçanti, efektet e këtij ligji janë shtrirë, konkretisht, te disa krime si ekzekutimet pa gjyq, aktet e torturës dhe zhdukjet me pahir. Disa nga këto krime janë konsideruar se paraqesin një seriozitet të tillë saqë e kanë përligjur miratimin e disa konventave specifike dhe vendosjen e disa masave të posaçme, sidomos kompetencën e përbotshme dhe të paparashkrueshme për të mos lejuar asnjëfarë pandëshkueshmërie në këtë fushë (...)
(...)
115. Komisioni vë re gjithashtu se, me sa duket, neni 2 i [ligjit të lartpërmendur] është zbatuar për të gjitha shkeljet e nenit 3 të përbashkët [të Konventave të Gjenevës të vitit 1949] dhe të [Protokollit të Dytë Shtesë të vitit 1997] të kryera nga agjentët e shtetit gjatë konfliktit të armatosur teatri i të cilit ka qenë Salvadori.
(...)
123. (...) duke miratuar dhe vënë në zbatim Ligjin për Amnisti të Përgjithshme, shteti salvadorian ka shkelur të drejtën për garanci gjyqësore të sanksionuar nga neni 8 § 1 i [Konventës Amerikane të vitit 1969 për të Drejtat e Njeriut], në dëm të viktimave të torturave që kanë mbetur gjallë si edhe të afërmve të (...), të cilët nuk kanë mundur të fitojnë zhdëmtim pranë juridiksioneve civile, meqenëse e gjitha kjo duhet të shqyrtohet në vështrim të nenit 1 § 1 të Konventës (...)
129. (...) duke shpallur e vënë në zbatim Ligjin për Amnisti, Salvadori ka shkelur të drejtën për mbrojtje gjyqësore të sanksionuar nga neni 25 i [Konventës Amerikane të vitit 1969 për të Drejtat e Njeriut], në dëm të viktimave që kanë mbetur gjallë (...)”
Në konkluzionet e tij, Komisioni Ndëramerikan për të Drejtat e Njeriut deklaroi se Salvadori kishte “shkelur gjithashtu, në lidhje me të njëjtët persona, nenin 3 të përbashkët për të katër Konventat e Gjenevës të vitit 1949 dhe nenin 4 të [Protokollit të Dytë Shtesë të vitit 1997]”. Përveç kësaj, me qëllim për të ruajtur të drejtat e viktimave, ai rekomandoi që Salvadori “nëse paraqitej rasti, ta shfuqizonte këtë ligj me efekt prapaveprues”.
Q. Gjykata Ndëramerikane e të Drejtave të Njeriut
60. Në vendimin e saj Barrios Altos k. Perusë të 14 marsit 2001 (themel), që kishte të bënte ndër të tjera me pikën e ligjshmërisë së ligjeve peruviane për amnisti, Gjykata Ndëramerikane e të Drejtave të Njeriut formuloi konsideratat e mëposhtme:
“41. Kjo Gjykatë i konsideron si të papranueshme dispozitat për amnisti, dispozitat për parashkrim dhe vendosjen e dispozitave që synojnë përjashtimin nga përgjegjësia, të cilat kanë për objekt që të pengojnë hetimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut si tortura, ekzekutimet pa gjyq, jashtëgjyqësore ose arbitrare, si edhe zhdukjet me pahir, të cilat janë të gjitha të ndaluara sepse bien ndesh me të drejtat e pashmangshme që njihen nga e drejta ndërkombëtare e të drejtave të njeriut.
42. Duke pasur parasysh fjalën e Komisionit dhe mungesën e kundërshtimit nga ana e shtetit, Gjykata është e mendimit se ligjet për amnisti të miratuara nga Peruja kanë penguar që familjet e viktimave dhe viktimat e mbetura gjallë në këtë çështje të dëgjohen nga një gjyqtar (...); këto ligje e kanë shkelur të drejtën për mbrojtje gjyqësore (...), e kanë penguar hetimin, ndjekjen, kapjen, vënien nën akuzë dhe ndëshkimin e personave përgjegjës për faktet e ndodhura në Barrios Altos, duke shkelur kështu nenin 1.1 të Konventës [Amerikane për të Drejtat e Njeriut të vitit 1969], si edhe kanë penguar sqarimin e fakteve në çështjen në fjalë. Së fundi, miratimi i ligjeve për vetamnisti të papajtueshme me Konventën [Amerikane për të Drejtat e Njeriut të vitit 1969] përbën një mospërmbushje të detyrimit për të marrë masa ligjore të brendshme, të parashikuar në nenin 2 të këtij instrumenti.
43. Gjykata e sheh të nevojshme të theksojë se, në dritën e detyrimeve të përgjithshme të sanksionuara në nenet 1.1 e 2 të Konventës Amerikane, Shtetet Palë kanë detyrën që të marrin masa, të çfarëdo natyre qofshin ato, në mënyrë që askush të mos lihet pa mbrojtje gjyqësore dhe pa ushtrimin e së drejtës për një rrugë të thjeshtë e efikase ankimi, në përputhje me termat e neneve 8 dhe 25 të Konventës [Amerikane për të Drejtat e Njeriut të vitit 1969]. Prandaj, ato Shtete Palë të Konventës [Amerikane për të Drejtat e Njeriut të vitit 1969] që miratojnë ligje të cilat bartin këtë efekt, si ligjet për vetamnisti, i shkelin nenet 8 dhe 25 në marrëdhënie me nenet 1.1 edhe 2 të Konventës [Amerikane për të Drejtat e Njeriut të vitit 1969]. Ligjet për vetamnisti nënkuptojnë, për viktimat, një mohim drejtësie dhe një dhënie pandëshkueshmërie; ato janë pra haptazi të papajtueshme me frymën dhe germën e Konventës Amerikane. Ky tip ligjesh pengon çdolloj identifikimi të individëve përgjegjës për shkelje të të drejtave të njeriut, sepse ato bëhen pengesë për hetimin, qasjen te drejtësia dhe nuk i lejojnë viktimat dhe familjet e tyre që ta mësojnë të vërtetën dhe të fitojnë zhdëmtimin përkatës.
44. Për arsye të papajtueshmërisë së hapur që ekziston mes ligjeve për vetamnisti dhe Konventës Amerikane për të Drejtat e Njeriut, këto ligje nuk kanë asnjë efekt juridik dhe nuk mund të mbeten pengesë për hetimet e fakteve të kësaj çështjeje, për identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës, ashtu siç nuk mund të kenë ndikime të njëjta apo të ngjashme mbi çështje të tjera shkeljesh të të drejtave të sanksionuara në Konventën Amerikane e që mendohet se kanë ndodhur në Peru.”
Në mendimin e tij pajtues, gjyqtari Antônio A. Cançado Trindade shtoi:
“13. Përgjegjësia ndërkombëtare e shtetit për shkelje të të drejtave të personit të sanksionuara në rrafshin ndërkombëtar, duke përfshirë edhe shkeljet që rezultojnë nga miratimi dhe zbatimi i ligjeve për vetamnisti, dhe përgjegjësia penale individuale e agjentëve që janë autorë shkeljesh të rënda të të drejtave të personit dhe të së drejtës ndërkombëtare, përbëjnë dy anë të së njëjtës medalje në luftën kundër mizorive, pandëshkueshmërisë dhe padrejtësisë. Për të mbërritur në këtë konstatim, është dashur të pritet shumë vjet dhe, nëse ai është i mundshëm sot, kjo ndodh – e këtu po i lejoj vetes që të ngul këmbë te diçka të cilën e kam shumë për zemër - edhe në saje të zgjimit të vetëdijes juridike të përbotshme si personifikimi i burimit material të vetë të drejtës ndërkombëtare.”
61. Në vendimin e saj në çështjen Almonacid-Arellano me të tjerë k. Kilit (26 shtator 2006 – prapësime paraprake, themel, zhdëmtime, kosto e shpenzime), Gjykata Ndëramerikane e të Drejtave të Njeriut u shpreh kështu:
“154. Për sa i përket parimit non bis in idem, ndonëse bëhet fjalë për një të drejtë njerëzore të njohur në nenin 8.4 të Konventës Amerikane, ai nuk është një e drejtë absolute dhe, për këtë arsye, nuk është i zbatueshëm kur: i) ndërkëshillimet e Gjykatës që e ka gjykuar çështjen dhe ka vendosur të shpallë pushimin e gjykimit të saj apo t’i japë pafajësi personit përgjegjës për një shkelje të të drejtave të njeriut ose të së drejtës ndërkombëtare, i janë bindur dëshirës për ta shpëtuar të akuzuarin nga përgjegjësia e tij penale; ii) hetimi i çështjes nuk është kryer në mënyrë të pavarur apo të paanshme, në përputhje me garancitë procedurale, ose iii) nuk ka pasur ndonjë qëllim të mirëfilltë për t’ia nënshtruar individin përgjegjës veprimit të drejtësisë. Një vendim i dhënë në këto kushte e bën gjënë e gjykuar “të përfaqtë” ose “mashtruese”. Përveç kësaj, kjo Gjykatë është e mendimit se, në qoftë se shfaqen fakte ose prova të reja, të cilat mund të japin mundësi për të gjetur përgjegjësit e shkeljeve të të drejtave të njeriut, e më tej, individët përgjegjës për krime kundër njerëzimit, atëherë mund të ketë një rihapje të hetimit edhe sikur të ekzistojë një vendim për dhënie pafajësie lidhur me gjënë e gjykuar, sepse kërkesat e drejtësisë, të drejtat e viktimave dhe fryma e germa e Konventës Amerikane e ndryshojnë mbrojtjen e parimit non bis in idem.
155. Në rastin konkret, ekzistojnë dy nga supozimet e përmendura. Në radhë të parë, çështja është hetuar nga gjykata pa garanci kompetence, pavarësie dhe paanësie. Në radhë të dytë, zbatimi i Dekretligjit nr. 2.191 synonte t’i shpëtonte të pandehurit përgjegjës nga drejtësia dhe ta linte të pandëshkuar krimin e kryer ndaj Z. Almonacid Arellano. Për rrjedhojë, shteti nuk mund të mbështetet te parimi non bis in idem, për të mos e ekzekutuar urdhrin e Gjykatës (supra paragr. 147).”
62. Gjykata Ndëramerikane ka ndjekur të njëjtën qasje në çështjen La Cantuta k. Perusë (vendim i 29 nëntorit 2006 – themel, zhdëmtime dhe kosto e shpenzime), ku pjesa përkatëse shprehet kështu:
“151. Lidhur me këtë, Komisioni dhe përfaqësuesit çmojnë se shteti i është referuar nocionit të vënies së dyfishtë nën akuzë për të shmangur ndëshkimin e disave nga autorët e pretenduar të këtyre krimeve; mirëpo rregulli i vënies së dyfishtë nën akuzë nuk zbatohet përderisa të interesuarit janë nxjerrë para një gjykate që ishte jo kompetente, që nuk ishte as e pavarur, as e paanshme, dhe që nuk u përgjigjej kushteve që përcaktojnë kompetencën. Madje, shteti mbron mendimin se “përfshirja e personave të tjerë që mund të ngarkohen me përgjegjësi penale është në varësi të çdo konkluzioni të ri që mund të nxjerrin prokuroria dhe gjykatat në suazën e hetimit dhe të caktimit të dënimit” dhe se “vendimi për rrëzim i marrë nga gjykata ushtarake nuk ka asnjë vlerë juridike për hetimin paraprak të prokurorisë. Me fjalë të tjera, rregulli i vënies së dyfishtë nën akuzë nuk zbatohet”.
152. Gjykata ka formuluar më parë në vendimin e saj Barrios Altos konsideratat e mëposhtme:
“Kjo Gjykatë i konsideron si të papranueshme dispozitat për amnisti, dispozitat për parashkrim dhe vendosjen e dispozitave që synojnë përjashtimin e përgjegjësisë, të cilat kanë si objekt që ta pengojnë hetimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut, si tortura, ekzekutimet pa gjyq, jashtëgjyqësore ose arbitrare, si edhe zhdukjet me pahir, të cilat janë të gjitha të ndaluara sepse bien ndesh me të drejtat e pashmangshme të njohura nga e drejta ndërkombëtare e të drejtave të njeriut.”
153. Lidhur në veçanti me nocionin e vënies së dyfishtë nën akuzë, Gjykata ka çmuar së fundmi se parimi non bis in idem nuk është i zbatueshëm kur procedura në kuadrin e së cilës është rrëzuar çështja ose i është dhënë pafajësi autorit të një shkeljeje të të drejtave të njeriut pavarësisht nga e drejta ndërkombëtare ka si efekt që ta shpëtojë të akuzuarin nga përgjegjësia e tij penale, ose kur, pavarësisht nga rregullat e zbatueshme në këtë fushë, procedura nuk është kryer në mënyrë të pavarur e të paanshme. Një vendim i dhënë në këto kushte ofron vetëm arsye “fiktive” ose “mashtruese” për t’iu referuar rregullit të vënies së dyfishtë nën akuzë.
154. Prandaj, në ankimin e tij kundër nxitësve të pretenduar të këtyre krimeve (§§ 80-82 të mësipërm), të cilët janë liruar nga gjykatat ushtarake, prokurori ad hoc ka gjykuar se ishte e papranueshme që urdhri për lirim i dhënë nga gjyqtarët ushtarakë në suazën e një procedure që synonte t’u jepte pandëshkueshmërinë të interesuarve të konsiderohej si një pengesë juridike e cila nuk e lejonte kryerjen e ndjekjeve penale apo si një vendim i formës së prerë, meqenëse këta gjyqtarë nuk ishin as kompetentë, as të paanshëm, dhe se, për këtë arsye, urdhri nuk mund ta përligjte zbatimin e rregullit të vënies së dyfishtë nën akuzë.”
63. Në çështjen Anzualdo Castro k. Perusë (vendim i 22 shtatorit 2009 – prapësim paraprak, themel, zhdëmtime dhe kosto e shpenzime), Gjykata Ndëramerikane përsëriti konsideratat e mëposhtme:
“182. (...) Shtet[i] është i detyruar që t’i heqë të gjitha pengesat, si faktike ashtu edhe juridike, të cilat e ndalojnë kryerjen efektive të hetimit rreth fakteve si edhe zhvillimin e procedurës përkatëse, dhe që t’i përdorë të gjitha mjetet që ka në dispozicionin e tij për të përshpejtuar hetimin dhe procedurën në fjalë, me qëllim që të garantojë që këto fakte të mos përsëriten më. Në veçanti, në një çështje si kjo, e cila ka të bëjë me një zhdukje me pahir të ndodhur në kontekstin e një skeme të përsëritur ose të një praktike sistematike zhdukjesh që u ngarkohen agjentëve të shtetit, ky i fundit nuk duhet ta ketë mundësinë për të përmendur apo zbatuar një ligj apo një dispozitë juridike të brendshme, të tanishme ose të ardhshme, për të mos vepruar në përputhje me vendimin e Gjykatës i cili e detyron atë për të kryer një hetim e, nëse paraqitet rasti, për t’i ndëshkuar penalisht personat përgjegjës për faktet e vëna nën akuzë. Për këtë arsye, në përputhje me doktrinën e Gjykatës të përcaktuar që në vendimin Barrios Altos k. Perusë, shteti nuk mund t’i zbatojë më ligjet për amnisti, të cilat janë të zhveshura nga çdolloj efekti juridik të tanishëm apo të ardhshëm (§ 163 i mësipërm), t’u referohet disa parimeve si parashkrimi i padive penale, autoriteti i gjësë së gjykuar apo vënia e dyfishtë nën akuzë, as të përdorë çdolloj mase tjetër çlirimi nga përgjegjësia për t’i shpëtuar detyrimit të tij për hetim e ndëshkim të personave përgjegjës.”
64. Në çështjen Gelman k. Uruguait (vendim i 24 shkurtit 2011 – themel e zhdëmtime), Gjykata Ndëramerikane e të Drejtave të Njeriut bëri një analizë të thelluar të së drejtës ndërkombëtare për aq sa ajo ka të bëjë me amnistitë që u jepen autorëve të shkeljeve të rënda të të drejtave themelore të njeriut. Në pjesët e tij përkatëse, vendimi shprehet kështu:
“184. Detyrimi për të hetuar rreth disa shkeljeve të të drejtave të njeriut është një nga masat pozitive që duhet të merren nga shtetet me qëllim që të garantohen të drejtat e njohura nga Konventa. Detyra për të hetuar është një detyrim mjetesh dhe jo rezultati, të cilin shteti duhet ta marrë përsipër si një detyrë juridike të tijën dhe jo si një formalitet të thjeshtë e të dënuar paraprakisht për të qenë i pafrytshëm, apo si një përçapje të thjeshtë interesash individualë e cila varet nga nisma procedurale e viktimave, e pjesëtarëve të familjeve të tyre, apo nga paraqitja private e elementeve të provës.
(...)
189. Detyrimi në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për të hetuar një proces ndaj autorëve të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe, nëse përcaktohet përgjegjësia e tyre penale, për të marrë masa ndëshkuese ndaj tyre, rrjedh nga detyrimi i garancisë i sanksionuar në nenin 1.1 të Konventës Amerikane. Ky detyrim nënkupton detyrën e Shteteve Palë për të organizuar një aparat të tërë qeveritar dhe, në përgjithësi, të gjitha strukturat përmes të cilave shfaqet ushtrimi i pushtetit publik, në mënyrë të tillë që ato të jenë në gjendje për të siguruar juridikisht ushtrimin e lirë e të plotë të të drejtave të individit.
190. Si pasojë e këtij detyrimi, shtetet duhet të parandalojnë, të kryejnë hetime rreth të gjitha shkeljeve të të drejtave të njohura nga Konventa, t’i ndëshkojnë ato, të përpiqen ta rivendosin të drejtën e shkelur me aq sa të jetë e mundur, dhe, sipas rastit, të fitojnë zhdëmtime për dëmet e shkaktuara nga shkelja e të drejtave të njeriut.
191. Në qoftë se aparati i shtetit vepron në një mënyrë që shkelje të tilla të mbeten të pandëshkuara dhe që viktima të mos mundë të shohë rivendosjen, brenda mundësive, të të drejtave të tij të plota, atëherë mund të pohohet se ai nuk e ka përmbushur detyrën e tij për të garantuar ushtrimin e lirë e të plotë të këtyre të drejtave ndaj personave që ndodhen nën juridiksionin e tij.
(...)
195. Amnistitë ose figurat e ngjashme juridike kanë qenë një nga pengesat e përmendura nga disa shtete për t’u shfajësuar për moskryerjen e një hetimi ndaj personave përgjegjës për shkelje të rënda të të drejtave të individit dhe për t’i dënuar ata nëse është rasti. Kjo Gjykatë, Komisioni Ndëramerikan i të Drejtave të Njeriut, organet e Kombeve të Bashkuara si edhe organizma të tjerë botërorë e rajonalë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut janë shprehur rreth papajtueshmërisë së ligjeve të amnistisë për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut me të drejtën ndërkombëtare dhe detyrimet ndërkombëtare të shteteve.
196. Siç është përmendur tashmë më sipër, kjo Gjykatë është shprehur rreth papajtueshmërisë së amnistive me Konventën Amerikane në rast shkeljesh të rënda të të drejtave të njeriut në Peru (çështjet Barrios Altos dhe La Cantuta), në Kili (çështja Almonacid Arellano me të tjerë) e në Brazil (çështja Gomes Lund me të tjerë).
197. Në Sistemin Ndëramerikan të të Drejtave të Njeriut, mekanizëm në të cilin Uruguai bën pjesë me një vendim sovran, vendimet për papajtueshmëri të ligjeve të amnistisë me detyrimet e shteteve sipas konventave kur është fjala për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut janë përsëritur disa herë. Përveç vendimeve të lartpërmendura të kësaj Gjykate, Komisioni Ndëramerikan ka dalë në përfundim, në këtë çështje dhe në çështje të tjera lidhur me Argjentinën, Kilin, Salvadorin, Haitin, Perunë dhe Urugain, se këto ligje amnistie janë të papajtueshme me të drejtën ndërkombëtare. Po ashtu, Komisioni ka rikujtuar si vijon:
Komisioni Ndëramerikan e ka thënë fjalën e vet në shumë çështje kyçe lidhur me të cilat ai ka pasur mundësinë që ta shprehte pikëpamjen e tij dhe ta kristalizonte doktrinën e vet në fushën e zbatimit të ligjeve për amnisti, duke përcaktuar se këto ligje shkelin disa dispozita si të Deklaratës Amerikane ashtu edhe të Konventës. Këto vendime, të cilat puqen me kriterin e organeve të tjera ndërkombëtare të të drejtave të njeriut për atë çka lidhet me amnistitë, kanë shpallur në mënyrë të njëtrajtshme se qoftë ligjet për amnisti, qoftë masat legjislative të krahasueshme me to, të cilat bëhen pengesë ose i pushojnë hetimet dhe gjykimet e agjentëve të [një] shteti që mund të ngarkohen me përgjegjësi për shkelje të rënda të Konventës ose të Deklaratës Amerikane, shkelin shumë dispozita të këtyre instrumenteve.
198. Në rrafshin botëror, në raportin e tij për Këshillin e Sigurimit me temë Shteti i së drejtës dhe administrata e drejtësisë gjatë periudhës së tranzicionit në shoqëritë e përfshira në një konflikt ose të sapodala nga një konflikt, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara vinte në dukje se:
(...) marrëveshjet e paqes të miratuara nga Kombet e Bashkuara nuk mund të premtoj[n]ë kurrë amnisti për krime gjenocidi, lufte, krime kundër njerëzimit apo për vepra të rënda kundër të drejtave të njeriut (...)
199. Në të njëjtin kuptim, Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka dalë në konkluzion se amnistitë dhe masat e tjera të ngjashme me to shpien në pandëshueshmëri dhe përbëjnë një pengesë për të drejtën për të mësuar të vërtetën duke iu kundërvënë një hetimi shterues rreth fakteve dhe se ato janë për pasojë të papajtueshme me detyrimet që u takojnë shteteve në bazë të burimeve të ndryshme të së drejtës ndërkombëtare. Për më tepër, lidhur me dilemën e rreme midis paqes apo pajtimit, në njërën anë, dhe drejtësisë, në anën tjetër, ai ka deklaruar si vijon:
[a]mnistitë që i përjashtojnë autorët e krimeve të urryera nga sanksionet penale me shpresën që të sigurojnë paqen shpesh nuk ia kanë mbërritur qëllimit të vet, por përkundrazi i kanë shtyrë përfituesit e tyre për ta përsëritur krimin. Por nga ana tjetër, disa marrëveshje paqeje janë nënshkruar pa u shoqëruar me masa amnistie në disa raste ku amnistia shihej si një kusht i domosdoshëm për paqen dhe ku ishin të shumtë ata të cilët druheshin se mos vëniet nën akuzë do ta zgjatnin konfliktin.
200. Në pajtim me sa paraprin më lart, Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për çështjen e pandëshkueshmërisë ka vënë në dukje se:
autorë[t] e shkeljeve nuk do të mundin të përfitojnë nga amnistia për aq kohë sa viktimave nuk do t’u jetë dhënë drejtësi përmes një mjeti ankimi të efektshëm. Juridikisht, ajo nuk do t’i prodhojë efektet e saj ndaj padive të viktimave lidhur me të drejtën për zhdëmtimet.
201. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka përcaktuar në nenin 18 të Deklaratës për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukjet me pahir se “[a]utorët dhe autorët e pandehur [të zhdukjeve me pahir] nuk mund të përfitojnë nga asnjë ligj i posaçëm amnistie as nga masa të tjera të ngjashme të cilat do të kishin si efekt që t’i përjashtonin ata nga çdo ndjekje a ndëshkim penal”.
202. Po ashtu, Konferenca Botërore për të Drejtat e Njeriut e mbajtur në Vjenë më 1993, në Deklaratën dhe në Programin e saj të Veprimit, ka theksuar se shtetet “duhet t’i shfuqizojnë ato ligje që ua sigurojnë, në fakt, pandëshkueshmërinë personave përgjegjës për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut [...], dhe ato duhet t’i ndjekin penalisht autorët e këtyre shkeljeve”, duke nënvizuar që, në raste zhdukjesh me pahir, shtetet kanë si detyrim parësor që t’i pengojnë ato e, nëse ato ndodhin, që t’i shpien autorët e tyre para drejtësisë.
203. Nga ana e tij, Grupi i Punës për Zhdukjet me Pahir ose pa Dashje i Kombeve të Bashkuara e ka trajtuar temën e amnistive lidhur me zhdukjet me pahir në disa raste të ndryshme. Në Vërejtjen e tij të Përgjithshme lidhur me nenin 18 të Deklaratës për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukjet me Pahir, ai ka nënvizuar se çmohet që një ligj amnistie bie ndesh me Deklaratën edhe kur ai është miratuar me referendum ose nëpërmjet një procedure të ngjashme konsultimi, në qoftë se drejtpërdrejt apo tërthorazi, për shkak të zbatimit ose të vënies së tij në jetë, pushon detyrimi i një shteti për të hetuar, për të vënë nën akuzë e për të dënuar përgjegjësit e zhdukjeve, nëse ai e fsheh emrin e cilitdo që mund t’i ketë kryer ato akte apo nëse i përjashton ata nga përgjegjësia.
204. Për më tepër, po i njëjti grup pune shprehu shqetësimin e tij lidhur me ato situata pas konfliktesh ku nxirren ligje amnistie ose miratohen masa të tjera të cilat kanë si efekt pandëshkueshmërinë, dhe ai u rikujtoi shteteve se:
(...) për të luftuar kundër zhdukjes, është thelbësore që të zbatohen masa të efektshme parandaluese, [mes të cilave] ai e tërheq posaçërisht vëmendjen te masat e mëposhtme: nënshtrimi para drejtësisë i të gjithë personave të akuzuar se kanë kryer vepra zhdukjeje me pahir, duke u kujdesur që ata të gjykohen vetëm nga gjykatat civile kompetente dhe të mos përfitojnë nga ndonjë ligj i posaçëm amnistie apo nga masa të tjera të ngjashme të cilat mund t’i përjashtojnë ata nga ndjekjet ose ndëshkimet penale; dhënia e dëmshpërblimeve dhe e një zhdëmtimi të përshtatshëm për viktimat e për familjen e tyre.
205. Po ashtu, në forumet botërore, organet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të ngritura me anë traktatesh kanë ruajtur të njëjtin kriter kur është fjala për t’i ndaluar ato amnisti që pengojnë hetimet dhe ndëshkimin e autorëve të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut. Në Vërejtjen e tij të Përgjithshme nr. 31, Komiteti i të Drejtave të Njeriut ka deklaruar se shtetet duhet të kujdesen që autorët e veprave që konsiderohen si krime në vështrimin e së drejtës ndërkombëtare ose kombëtare, si tortura e trajtimet e tjera mizore, çnjerëzore ose poshtëruese, ekzekutimet pa gjyq e arbitrare, si edhe zhdukjet me pahir, duhet të nxirren para drejtësisë dhe se ato nuk mund t’i përjashtojnë autorët e tyre nga përgjegjësia e tyre juridike, siç ka ndodhur në rastin e disa amnistive.
206. Kështu, Komiteti i të Drejtave të Njeriut është shprehur edhe në këtë drejtim në trajtimin që u ka bërë peticioneve individuale dhe në raportet e tij rreth vendeve. Në çështjen Hugo Rodríguez k. Uruguait, ai ka deklaruar se nuk mund ta pranonte qëndrimin e një shteti i cili, në bazë të një ligji amnistie, nuk e quante veten të detyruar për të hetuar rreth disa shkeljeve të të drejtave të njeriut që kishin ndodhur gjatë një regjimi të mëparshëm, dhe ka pohuar përsëri se amnistitë lidhur me shkelje të rënda të të drejtave të njeriut janë të papajtueshme me Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, duke vënë në dukje se ato japin ndihmesë në krijimin e një atmosfere pandëshkueshmërie e cila mund ta tronditë rendin demokratik dhe të shkaktojë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
(...)
209. Përherë lidhur me forumet ndërkombëtare, në një fushë tjetër të së drejtës ndërkombëtare, në të drejtën penale ndërkombëtare, amnistitë ose ndreqjet ligjore të ngjashme me to janë gjykuar gjithashtu si të papranueshme. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, në një çështje lidhur me torturën, ka qenë e mendimit se nuk kishte kurrfarë kuptimi që, nga njëra anë, të mbështetej ndalimi me ligj i shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe, nga ana tjetër, të mundësohej marrja e masave shtetërore të cilat i lejojnë ose i falin ato, apo ligje amnistie të cilat u japin pafajësi autorëve të tyre. Në të njëjtën frymë, Gjykata e Posaçme për Sierra Leonen ka çmuar se ligjet për amnisti të këtij vendi nuk janë të zbatueshme për krimet e rënda ndërkombëtare. Kjo prirje e përgjithshme është përforcuar me futjen e normës së përmendur në hartimin e statuteve të gjykatave të posaçme të krijuara më së fundmi nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara. Prandaj, si Marrëveshjet e nënshkruara nga Kombet e Bashkuara me Republikën e Libanit dhe me Mbretërinë e Kamboxhias ashtu edhe statutet që kanë çuar në krijimin e Gjykatës së Posaçme për Sierra Leonen dhe të Dhomave të Jashtëzakonshme të Gjykatave të Kamboxhias, kanë përfshirë në tekstet e tyre disa klauzola të cilat përcaktojnë se amnistitë e dhëna nuk do të përbëjnë një pengesë për ndjekjen penale të autorëve të këtyre krimeve dhe që janë në varësi të juridiksioneve të këtyre gjykatave.
210. Po ashtu, duke interpretuar nenin 6 § 5 të Protokollit Shtesë II të Konventave të Gjenevës për të drejtën ndërkombëtare humanitare, KNKK-ja ka deklaruar se amnistitë nuk mund t’i mbronin autorët e krimeve të luftës:
“[k]ur ka miratuar paragrafin 5 të nenit 6 të Protokollit Shtesë II, BRSS-ja ka deklaruar në arsyetimin e mendimit të vet se kjo dispozitë nuk mund të interpretohej në mënyrë që t’u lejohej kriminelëve të luftës ose personave të tjerë fajtorë për krime kundër njerëzimit që t’u shpëtonin ndëshkimeve të rrepta. KNKK-ja e pranon këtë interpretim. Një amnisti nuk do të ishte e pajtueshme as me atë rregull i cili u kërkon shteteve që të çelin hetime e të nisin ndjekje kundër personave të dyshuar se kanë kryer krime lufte në kuadrin e konflikteve të armatosura jo ndërkombëtare. (...)”
211. Kjo normë e së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe ky interpretim i nenit 6 § 5 të Protokollit janë përqafuar edhe nga Komisioni Ndëramerikan për të Drejtat e Njeriut dhe nga Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara.
212. Gjykatat dhe organet e të gjitha sistemeve rajonale për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë pohuar gjithashtu se amnistitë që përfshijnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut ishin në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
213. Në sistemin evropian, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka çmuar se, për qëllimet e një ankimi efektiv, është e domosdoshme që procedurat penale lidhur me krime si tortura, të cilat nënkuptojnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, të mos jenë objekt i asnjë parashkrimi dhe që ndaj tyre të mos tolerohet asnjë amnisti apo falje. Në disa çështje të tjera, ajo ka nënvizuar se, kur një agjent i shtetit akuzohet për krime që bien në kundërshtim me nenin 2 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (e drejta për jetën), nuk duhet të pengohen procedura penale dhe gjykimi, si edhe nuk lejohet dhënia e një amnistie.
214. Komisioni Afrikan i të Drejtave të Njeriut e të Popujve ka çmuar se ligjet për amnisti nuk mund ta përjashtojnë shtetin që i miraton ato nga detyrimet e tij ndërkombëtare; ai ka deklaruar, për më tepër, se nëse ndalohet që të gjykohen autorët e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut nëpërmjet amnistive, kjo jo vetëm do të bënte që shtetet ta nxitnin pandëshkueshmërinë, por do të hiqte edhe çdo mundësi për të hetuar rreth këtyre shpërdorimeve dhe do t’i linte viktimat e këtyre krimeve pa një mundësi ankimi efektiv për qëllim të fitimit të zhdëmtimeve.
(...)
F. Ligjet për amnisti dhe jurisprudenca e Gjykatës Ndëramerikane
225. Gjykata Ndëramerikane i ka gjykuar “të papranueshme dispozitat për amnisti, dispozitat për parashkrim dhe vendosjen e dispozitave që synojnë përjashtimin nga përgjegjësia, të cilat kanë për objekt që të pengojnë hetimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut si tortura, ekzekutimet pa gjyq, jashtëgjyqësore ose arbitrare, si edhe zhdukjet me pahir, të cilat janë të gjitha të ndaluara sepse bien ndesh me të drejtat e pashmangshme që njihen nga e drejta ndërkombëtare e të drejtave të njeriut”.
226. Në këtë kuptim, në rast shkeljesh të rënda të të drejtave të njeriut, ligjet e amnistive janë shprehimisht të papajtueshme me germën dhe frymën e Paktit të San Hozesë, duke qenë se ato shkelin dispozitat e neneve 1 §§ 1 e 2, domethënë se ndalojnë çdo hetim për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut e çdo ndëshkim të autorëve të tyre dhe se pengojnë për rrjedhojë të drejtën e viktimave dhe të familjeve të tyre për të njohur të vërtetën rreth asaj çka ka ndodhur si edhe për të fituar një zhdëmtim përkatës, duke mos e lejuar kështu drejtësinë që ta bëjë në mënyrë të plotë, efektive e në kohën e duhur punën e saj në çështjet që lidhen me to. Këto ligje favorizojnë kështu pandëshkueshmërinë e arbitraritetin dhe cenojnë rëndë shtetin e së drejtës, arsye kjo për të cilën, në të drejtën ndërkombëtare, ato quhet se janë të zhveshura nga çdolloj efekti juridik.
227. Në veçanti, ligjet për amnisti cenojnë detyrën ndërkombëtare që u bie shteteve për të hetuar e ndëshkuar shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut, sepse ato i pengojnë të afërmit e viktimave për t’u dëgjuar nga një magjistrat, në përputhje me çka sanksionohet në nenin 8.1 të Konventës Amerikane dhe shkelin kështu të drejtën për mbrojtje gjyqësore të përcaktuar në nenin 25 të po këtij instrumenti, pikërisht duke pasur parasysh mungesën e hetimit, të ndjekjes, të kapjes, të gjykimit e të ndëshkimit të autorëve të ngjarjeve, në moszbatim të nenit 1.1 të Konventës.
228. Nën dritën e detyrimeve të përgjithshme të sanksionuara në nenet 1.1 e 2 të Konventës Amerikane, Shtetet Palë janë të detyruara të miratojnë dispozita të çdolloj natyre, me qëllim që askush të mos përjashtohet nga mbrojtja gjyqësore apo të pengohet për të ushtruar të drejtën e tij për ankim të thjeshtë e të efektshëm, ashtu siç e përcaktojnë nenet 8 dhe 25 të Konventës. Që nga momenti i ratifikimit të Konventës, shteti është i detyruar që, në përputhje me nenin 2 të saj, të miratojë të gjitha masat në mënyrë që të mbeten pa efekt të gjitha ato dispozita ligjore që mund t’i kundërvihen asaj, siç është rasti i normave që nuk lejojnë të hetohet rreth shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut, meqenëse ato ua heqin viktimave të drejtën e tyre për mbrojtje dhe e përjetësojnë pandëshkueshmërinë, duke mos i lejuar njëkohësisht viktimat dhe të afërmit e tyre që ta njohin të vërtetën lidhur me ngjarjet.
229. Papajtueshmëria me Konventën i përfshin amnistitë e dhëna për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe nuk kufizohet vetëm me “vetamnistitë”, siç i quajnë. Kështu, Gjykata, më shumë se te procesi i miratimit dhe tek autoriteti që e ka nxjerrë ligjin për amnisti, kapet te ratio legis e këtij të fundit: të lihen pa u ndëshkuar shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare, të kryera në vështrim të së drejtës ndërkombëtare. Papajtueshmëria e ligjeve për amnisti me Konventën Amerikane në raste të rënda shkeljesh të të drejtave të njeriut nuk rrjedh nga një çështje formale, si zanafilla e vet, por nga aspekti material, përderisa shkelen të drejtat e sanksionuara nga nenet 8 dhe 25, në bashkëlidhje me nenet 1.1 e 2 të Konventës.
G. Hetimi rreth ngjarjeve dhe Ligji uruguaian për Përfundim Afati
(...)
240. (...) duke zbatuar dispozita të Ligjit për Përfundim Afati (i cili, në fakt, përbën një ligj amnistie) dhe duke e penguar kështu hetimin rreth ngjarjeve si edhe identifikimin, ndjekjen e ndëshkimin eventual të autorëve të mundshëm të dëmeve të vazhdueshme e të përhershme si ato të shkaktuara nga zhdukja me pahir, shteti nuk ka vepruar në përputhje me detyrimin e sanksionuar nga neni 2 i Konventës për ta përshtatur të drejtën e tij të brendshme.”
65. Në çështjen Gomes Lund k. Brazilit (vendim i 24 nëntorit 2010, prapësime paraprake, themel, zhdëmtime dhe kosto), Gjykata Ndëramerikane i kundërshtoi sërish me forcë amnistitë e dhëna për autorët e shkeljeve të rënda të të drejtave themelore të njeriut. Pasi iu referua të njëjtave norma të së drejtës ndërkombëtare si edhe në çështjen Gelman të cituar më lart, Gjykata Ndëramerikane u shpreh konkretisht kështu:
“170. Siç del nga përmbajtja e paragrafëve të mësipërm, të gjitha organet ndërkombëtare për mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe Gjykatat e Larta të ndryshme kombëtare të rajonit të cilat kanë pasur rastin të marrin vendime rreth rrezes së veprimit të ligjeve për amnisti në raste shkeljesh të rënda të të drejtave të njeriut dhe të papajtueshmërisë së tyre me detyrimet ndërkombëtare të shteteve që i shpallin ato, kanë dalë në përfundimin se ato ligje e shkelnin detyrimin që i bie shtetit për t’i hetuar e ndëshkuar shkeljet në fjalë.
171. Kjo Gjykatë është shprehur tashmë edhe më parë rreth kësaj pike dhe nuk i gjen bazat juridike për t’u shmangur nga jurisprudenca e saj e përhershme, e cila, për më tepër, përputhet me çka është vendosur njëzëri nga e drejta ndërkombëtare dhe nga precedentët e organeve të sistemeve botërore e rajonale për mbrojtje të të drejtave të njeriut. Kështu që, lidhur me çështjen në fjalë, Gjykata e përsërit se “nuk janë të pranueshme dispozitat e amnistisë, dispozitat në fushën e parashkrimit dhe vendosja e klauzolave që përjashtojnë çdolloj përgjegjësie dhe që synojnë të mos lejojnë për të hetuar e ndëshkuar autorët e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut si tortura, ekzekutimet pa gjyq, të jashtëligjshme ose arbitrare, si edhe zhdukjet me pahir, të gjitha këto të ndaluara sepse bien ndesh me të drejtat e njohura nga e drejta ndërkombëtare lidhur me të drejtat e njeriut dhe të cilat nuk mund të shmangen”.
(...)
175. Për sa u përket pretendimeve të palëve, nëse bëhej fjalë për një amnisti, për një vetamnisti apo për një “marrëveshje politike”, Gjykata vëren se, siç del nga kriteri i përsëritur në këtë çështje (supra, paragr. 171), papajtueshmëria me Konventën i përfshin amnistitë e dhëna për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe nuk kufizohet vetëm te “vetamnistitë”, siç i quajnë. Kështu, siç është shënuar edhe më parë, Gjykata, më shumë se te procesi i miratimit dhe tek autoriteti që e ka nxjerrë Ligjin për Amnisti, kapet te ratio legis e këtij të fundit: të lihen pa u ndëshkuar shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare të kryera nga regjimi ushtarak. Papajtueshmëria e ligjeve për amnisti me Konventën Amerikane në raste të rënda shkeljesh të të drejtave të njeriut nuk rrjedh nga një çështje formale, si zanafilla e vet, por nga aspekti material, përderisa shkelen të drejtat e sanksionuara nga nenet 8 dhe 25, në bashkëlidhje me nenet 1.1 e 2, të Konventës.
176. Kjo Gjykatë ka përcaktuar në jurisprudencën e saj se është e vetëdijshme për faktin që autoritetet e brendshme i nënshtrohen sundimit të ligjit e, për pasojë, ato janë të detyruara të zbatojnë dispozitat në fuqi në rendin juridik. Megjithatë, kur një shtet është palë në një traktat ndërkombëtar si Konventa Amerikane, të gjitha organet e tij, duke përfshirë edhe gjyqtarët, i nënshtrohen atij, nga rrjedh edhe detyrimi i cili u bie atyre për t’u kujdesur që efektet e dispozitave të Konventës të mos zvogëlohen nga zbatimi i normave të kundërta me objektin e qëllimin e tij dhe që ato të mos lihen, qysh në fillim, pa efekte juridike. Kështu, Pushteti Gjyqësor është i detyruar, në rrafshin ndërkombëtar, që të ushtrojë një “kontroll konvencionaliteti” ex officio midis normave të brendshme dhe Konventës Amerikane, sigurisht në kuadër të kompetencave të tij dhe të rregulloreve procedurale përkatëse. Në këtë funksion, Pushteti Gjyqësor duhet të marrë parasysh jo vetëm traktatin, por edhe interpretimin që i ka dhënë atij Gjykata Ndëramerikane, interpretuese në shkallë të fundit e Konventës Amerikane.”
66. Më vonë, në vendimin Masakrat e El Mozote-s dhe rrethinave k. Salvadorit, Gjykata Ndëramerikane e të Drejtave të Njeriut u shpreh konkretisht kështu (pa shënimet në fund të faqes):
283. Në çështjet Gomes Lund k. Brazilit dhe Gelman k. Uruguait, rreth të cilave ajo ka marrë vendime në fushën e saj të kompetencave juridiksionale, Gjykata ka përshkruar e shtjelluar me hollësi tashmë sesi ajo vetë, Komisioni Ndëramerikan i të Drejtave të Njeriut, organet e Kombeve të Bashkuara si edhe organizmat e tjerë botërorë e rajonalë për mbrojtje të të drejtave të njeriut janë shprehur lidhur me papajtueshmërinë e ligjeve për amnisti me të drejtën ndërkombëtare dhe me detyrimet ndërkombëtare të shteteve në lidhje me shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut. Amnistitë ose mekanizmat juridike të ngjashme me to kanë qenë në fakt një nga pengesat e përmendura nga disa shtete për të mos vepruar në përputhje me detyrimin e tyre për të hetuar rreth shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe për t’i ndjekur e ndëshkuar, nëse është rasti, personat përgjegjës. Nga ana tjetër, shtete të ndryshme anëtare të Organizatës së Shteteve Amerikane, me anën e instancave të tyre më të larta gjyqësore, i kanë zbatuar normat në fjalë duke respektuar ndershmërisht detyrimet e tyre ndërkombëtare. Gjithashtu, në lidhje me këtë çështje, Gjykata rikujton natyrën e papranueshme “të dispozitave në fushën e amnistisë, të parashkrimit e të përjashtimit nga përgjegjësia, të cilat synojnë të mos lejojnë, në rast shkeljesh të rënda të të drejtave të njeriut si tortura, ekzekutimet pa gjyq, jashtëgjyqësore ose arbitrare apo zhdukjet me pahir, që janë të gjitha të ndaluara për arsyen se bien ndesh me të drejtat e pashmangshme të njohura nga e drejta ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, që të mund të kryhet një hetim lidhur me ngjarjet e që të mund të ndëshkohen personat përgjegjës”.
284. Megjithatë, ndryshe nga çështjet e shqyrtuara tashmë nga Gjykata, çështja në fjalë ka të bëjë me një ligj amnistie të përgjithshme lidhur me akte të kryera në kontekstin e një konflikti të armatosur të brendshëm. Gjykata e çmon pra të arsyeshme që të bëjë analizën rreth pajtueshmërisë së Ligjit për Amnisti të Përgjithshme për Konsolidimin e Paqes me detyrimet ndërkombëtare që rrjedhin nga Konventa Amerikane dhe rreth zbatimit të këtij ligji në çështjen e Masakrave të El Mozote-s dhe rrethinave në dritën e dispozitave të Protokollit të Dytë Shtesë të Konventave të Gjenevës të vitit 1949, si edhe të termave të marrëveshjes së pushimit të luftimeve që i dha fund konfliktit në Salvador, sidomos të nenit 5 (“Fundi i pandëshkueshmërisë”) të Kapitullit I (“Forcat e armatosura”) të Marrëveshjes së Paqes të 16 janarit 1992.
285. Sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare të zbatueshme në këto situata, miratimi i ligjeve për amnisti në pushimin e luftimeve në rast konflikti të armatosur jo ndërkombëtar mund të përligjet ndonjëherë për të lehtësuar kthimin te paqja. Në fakt, neni 6 § 5 i Protokollit të Dytë Shtesë të Konventave të Gjenevës të vitit 1949 përcakton se:
“Në pushimin e luftimeve, autoritetet në pushtet duhet të përpiqen që t’u japin amnisti sa më të gjerë personave që do të kenë marrë pjesë në konfliktin e armatosur apo të cilëve do t’u jetë hequr liria për arsye në lidhje me konfliktin e armatosur, qofshin ata të burgosur ose robër.”
286. Gjithsesi, kjo normë nuk është absolute, përderisa, në bazë të së drejtës ndërkombëtare humanitare, shtetet kanë gjithashtu një detyrim për hetim e ndjekje penale lidhur me krimet e luftës. Për këtë arsye, “personat e dyshuar apo të akuzuar se kanë kryer krime lufte ose të dënuar për këtë akuzë” nuk mund të mbulohen me një amnisti. Neni 6 § 5 i Protokollit të Dytë Shtesë mund të kuptohet pra se ka për synim amnisti të gjera të zbatueshme ndaj personave që kanë marrë pjesë në një konflikt të armatosur jo ndërkombëtar ose të cilëve u është hequr liria për arsye të lidhura me këtë konflikt të armatosur, me kusht që kjo të mos ketë të bëjë me ngjarje si ato për të cilat është fjala në këtë çështje, të cilat mund të cilësohen si krime lufte, madje si krime kundër njerëzimit.”
R. Dhomat e Jashtëzakonshme në gjirin e Gjykatave Kamboxhiane
67. Në vendimin e tyre lidhur me apelimin e bërë nga Ieng Sary kundër Urdhrit për Mbyllje (çështja nr. 002/19 09-2007-ECCC/OCIJ (PTC75)) të 11 prillit 2011, Dhomat e Jashtëzakonshme në gjirin e Gjykatave Kamboxhiane u shprehën kështu për sa u përket efekteve të amnistisë mbi ndjekjet penale:
“199. Krimet e përcaktuara në Urdhrin për Mbyllje, konkretisht gjenocidi, krimet kundër njerëzimit, shkeljet e rënda të Konventave të Gjenevës, si edhe vrasja me paramendim, tortura dhe persekutimi fetar si krime që i përkasin së drejtës kamboxhiane, ndonëse nuk janë vepra penale të parashikuara nga Ligji i vitit 1994, mbeten objekt ndjekjeje sipas së drejtës penale ekzistuese, qoftë të brendshme, qoftë ndërkombëtare, e kjo edhe nëse ato u ngarkohen pjesëtarëve të pretenduar të grupit të Kampuçeas Demokratike.
(...)
201. Interpretimi i Dekretit mbretëror i paraqitur nga bashkavokatët e Ieng Sary-t, se ai dashka të thotë që ky qenkësh falur për të gjitha krimet e kryera gjatë periudhës së Kmerëve të Kuq, duke përfshirë aty të gjitha krimet e përcaktuara në Urdhrin për Mbyllje, është në kundërshtim njëherazi edhe me Dekretin mbretëror, të shqyrtuar së bashku me Ligjin e vitit 1994, edhe me detyrimet ndërkombëtare të Kamboxhias. Në rastin e gjenocidit, të torturës dhe të shkeljeve të rënda të Konventave të Gjenevës, amnistia që pengon çdolloj ndjekjeje penale dhe ndëshkimi do të ishte në kundërshtim me traktatet të cilat e detyrojnë Kamboxhian që t’i ndjekë e t’i dënojë autorët e këtyre krimeve, konkretisht me Konventën rreth Gjenocidit, me Konventën Kundër Torturës dhe me Konventat e Gjenevës. Kamboxhia, e cila e ka ratifikuar Paktin Ndërkombëtar, kishte dhe vazhdon të ketë edhe detyrimin për t’u kujdesur që viktimat e krimeve kundër njerëzimit, të cilat përbëjnë si përkufizim shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, të kenë një mjet ankimi efektiv. Ky detyrim nënkupton në përgjithësi që shteti t’i ndjekë e t’i dënojë autorët e shkeljeve. Dhënia e amnistisë për krimet kundër njerëzimit, domethënë dekretimi i fshirjes dhe i harrimit të veprave penale të kryera, do të kishte qenë në kundërshtim me detyrimin që i caktohet Kamboxhias nga Pakti Ndërkombëtar për t’i ndjekur e dënuar autorët e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut ose për t’u kujdesur që viktimat të kenë një mjet ankimi efektiv. Meqenëse asgjë nuk lejon të dilet në përfundimin se Mbreti (dhe kjo vlen edhe për personat e tjerë të implikuar) kishte ndër mend që, duke nxjerrë Dekretin mbretëror, të mos i respektonte detyrimet ndërkombëtare të Kamboxhias, interpretimi i këtij dokumenti i paraqitur nga bashkavokatët gjykohet i pabazuar.”
S. Gjykata e Posaçme për Sierra Leonen
68. Më 13 mars 2004, Dhoma e Apelit e Gjykatës së Posaçme për Sierra Leonen, në çështjet nr. SCSL-2004-15-AR72(E) dhe nr. SCSL-2004-16-AR72(E), miratoi vendimin e saj për prapësimin për mungesë kompetence: amnisti e parashikuar nga Marrëveshja e Lomesë, në të cilin ajo formuloi vërejtjet e mëposhtme:
“82. Argumenti i akuzës se në të drejtën ndërkombëtare duhet të konkretizohet një normë sipas së cilës një qeveri nuk mund t’u japë amnisti autorëve të shkeljeve të rënda që përbëjnë krime ndërkombëtare mbështetet gjerësisht nga elementet e parashtruara para Gjykatës. Mendimi i dy amicii curiae se kjo prirje është kristalizuar nuk mund të jetë krejtësisht i drejtë, por, kur është fjala për të krijuar mendimin e vet, Gjykata nuk sheh kurrfarë arsyeje që të mos e marrë parasysh fuqinë e argumentimit të tyre dhe peshën e elementeve që ata kanë parashtruar para saj. Pranohet se një normë e tillë po merr zhvillim në të drejtën ndërkombëtare. Avokati i Z. Kallon ka deklaruar se, deri më sot, ideja që amnistitë janë të paligjshme në të drejtën ndërkombëtare nuk pranohet kudo, por, siç e nënvizon me këmbëngulte profesori Orentlicher, janë disa ato traktate të cilat kërkojnë që krime të tilla të ndiqen penalisht, sidomos Konventa e vitit 1948 për Parandalimin dhe Shtypjen e Krimit të Gjenocidit, Konventa Kundër Torturës dhe Dënimeve ose Trajtimeve të Tjera Mizore, Çnjerëzore apo Poshtëruese, si edhe katër Konventat e Gjenevës. Përveç këtyre, rezoluta të shumta të Asamblesë së Përgjithshme dhe të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e ripohojnë detyrimin që kanë shtetet për t’i ndjekur e çuar para drejtësisë autorët e krimeve të tilla. Organizata Redress ka vendosur konkretisht në aneks të vërejtjeve të saj me shkrim konkluzionet përkatëse të Komitetit Kundër Torturës, konstatimet e Komisionit të të Drejtave të Njeriut, si edhe vendimet përkatëse të Gjykatës Ndëramerikane të të Drejtave të Njeriut.
(...)
84. Edhe sikur të pranohet se Sierra Leone nuk e ka shkelur të drejtën zakonore duke dhënë një amnisti, Gjykata, në ushtrimin e kompetencës së saj vetëgjykimore, ka të drejtën që të mos i japë ndonjë peshë të madhe ose që të mos i japë fare peshë dhënies së një amnistie që shkon në drejtim të kundërt me evolucionin e tanishëm të së drejtës ndërkombëtare zakonore dhe që nuk i merr parasysh ato detyrime që rrjedhin nga disa traktate e konventa qëllimi i të cilave është mbrojtja e njerëzimit.”
LIGJI
(...)
II. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 4 TË PROTOKOLLIT NR. 7 TË KONVENTËS
92. Paditësi mbron mendimin se veprat penale në fjalë në procedurën e përfunduar më 1997 dhe ato për të cilat ai është njohur fajtor më 2007 ishin të njëjtat. Ai i referohet nenit 4 të Protokollit nr. 7 të Konventës, të formuluar kështu:
“1. Askush nuk mund të ndiqet ose të dënohet penalisht nga juridiksionet e të njëjtit Shtet për një vepër për të cilën ai më parë ka qenë deklaruar i pafajshëm ose dënuar me një vendim gjyqësor përfundimtar në përputhje me ligjin dhe procedurën penale të këtij Shteti.
2. Dispozitat e paragrafit të mësipërm nuk pengojnë rihapjen e procesit, në përputhje me ligjin dhe procedurën penale të Shtetit në fjalë, në rast se fakte të reja ose të zbuluara rishtazi, ose një mangësi themelore në procedurën e mëparshme janë të një natyre të tillë, që mund të cenojnë vendimin e dhënë.
3. Asnjë derogim nuk lejohet për këtë nen në përputhje me nenin 15 të Konventës.”
A. Pajtueshmëria ratione temporis
1. Konkluzionet e Dhomës
93. Në vendimin e saj të datës 13 nëntor 2012, Dhoma ka çmuar se ankimi i bërë në bazë të nenit 4 të Protokollit nr. 7 të Konventës ishte i pajtueshëm ratione temporis me Konventën. Ajo është shprehur si vijon:
“58. Gjykata vë re se procedura e parë penale kundër paditësit ka marrë fund efektivisht përpara hyrjes në fuqi të Konventës për Kroacinë. Por, procedura e dytë penale, në përfundim të së cilës paditësi është gjykuar fajtor për krime lufte kundër popullsisë civile, është zhvilluar e ka përfunduar pas datës 5 nëntor 1997, datë në të cilën Kroacia e ka ratifikuar Konventën. E drejta për të mos u gjykuar ose dënuar dy herë për të njëjtat fakte nuk mund të përjashtohet lidhur me një procedurë të kryer përpara ratifikimit, përderisa personi për të cilin bëhet fjalë është dënuar për të njëjtën vepër pas ratifikimit të Konventës. Thjesht fakti që procedura e parë ka përfunduar përpara kësaj date nuk mund të bëhet pra pengesë për kompetencën ratione temporis të Gjykatës në çështjen në fjalë.”
2. Vërejtjet e palëve përpara Dhomës së Madhe
94. Qeveria vë në dukje se vendimi që e amnistonte paditësin është marrë më 24 qershor 1997 dhe i është bërë i ditur të interesuarit më 2 korrik 1997, ndërkohë që Konventa ka hyrë në fuqi për Kroacinë më 5 nëntor 1997. Ajo nxjerr këtej përfundimin se vendimi në fjalë nuk i takon kompetencës kohore të Gjykatës.
95. Paditësi nuk ka formuluar vërejtje rreth kësaj pike.
3. Vlerësimi i Dhomës së Madhe
96. Vendimi që e amnistonte paditësin është marrë më 24 qershor 1997, ndërsa Konventa dhe Protokolli nr. 7 kanë hyrë në fuqi ndaj Kroacisë përkatësisht më 5 nëntor 1997 dhe më 1 shkurt 1998. Gjykatës i duhet kështu që ta shohë pikën lidhur me kompetencën e saj ratione temporis.
97. Dhoma e Madhe pajtohet me konkluzionet e Dhomës për sa i përket pajtueshmërisë ratione temporis me Konventën të ankimit të bërë nga paditësi mbi bazën e nenit 4 të Protokollit nr. 7. Ajo i referohet madje mendimit të formuluar nga Komisioni në çështjen Gradinger k. Austrisë (19 maj 1994, mendim i Komisionit, §§ 67-69, seria A nr. 328-C) :
“67. Komisioni rikujton se, në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare të pranuara gjithësisht, Konventa dhe protokollet e saj i kushtëzojnë Palët Kontraktuese vetëm lidhur me ngjarjet e ndodhura pas hyrjes në fuqi të Konventës dhe të Protokollit ndaj palës në fjalë.
68. Natyra e së drejtës së formuluar në nenin 4 të Protokollit nr. 7 kërkon që të kenë ndodhur dy procedura: një procedurë e parë me të cilën të interesuarit do t’i jetë dhënë “pafajësi ose dënim me një vendim të formës së prerë” dhe një procedurë e mëvonshme gjatë së cilës një person do të mund “të jetë ndjekur ose dënuar [sërish]” nga juridiksionet e po të njëjtit shtet.
69. Komisioni shton se, gjatë shqyrtimit të vet rreth drejtësisë së një procedure, ai ka të drejtë t’i marrë parasysh incidentet e ndodhura përpara hyrjes në fuqi të Konventës ndaj një shteti nëse konstatimet lidhur me këto incidente të mëparshme figurojnë në një vendim të dhënë pas hyrjes së lartpërmendur në fuqi (X k. Portugalisë, kërkesëpadi nr. 9453/81, vendim për pranueshmërinë i 13 dhjetorit 1982, DR 31, ff. 204‑207). Elementi thelbësor i nenit 4 të Protokollit nr. 7 është rreziku që dikush të ndiqet ose dënohet “përsëri”. Procedura e parë i jep vetëm një sfond shqyrtimit të së dytës. Në çështjen në fjalë, Komisioni çmon se, në qoftë se vendimi i formës së prerë në procedurën e dytë është dhënë pas hyrjes në fuqi të Protokollit nr. 7, ai është kompetent ratione temporis për ta marrë në shqyrtim ankimin. Përderisa Protokolli nr. 7 ka hyrë në fuqi më 1 nëntor 1988, përderisa Austria ka bërë më 30 qershor 1989 për sa i përket nenit 7 § 2 të Protokollit të lartpërmendur një deklaratë duke mos e përjashtuar një efekt prapaveprues (X. k. Francës, kërkesëpadi nr. 9587/81, vendim për pranueshmërinë i 13 dhjetorit 1982, DR 29, ff. 228-234) e përderisa vendimi i formës së prerë i Gjykatës Administrative i përket 29 marsit 1989, Komisioni çmon se ai nuk është jo kompetent ratione temporis për ta shqyrtuar këtë aspekt të çështjes.”
98. Për këtë arsye, Dhoma e Madhe nuk sheh asnjë arsye që të shmanget nga vendimi i Dhomës për ta rrëzuar prapësimin për papranueshmëri për mungesë kompetence ratione temporis, të paraqitur nga Qeveria.
B. Zbatueshmëria e nenit 4 të Protokollit nr. 7
1. Konkluzionet e Dhomës
99. Dhoma ka nxjerrë fillimisht përfundimin se veprat për të cilat ishte gjykuar paditësi në kuadrin e procedurës së parë dhe të dytë ishin të njëjtat. Ajo e ka lënë të hapur pikën nëse vendimi për amnisti nga i cili kishte përfituar paditësi mund të konsiderohej si një vendim i formës së prerë për dhënie pafajësie ose për dënim në vështrim të nenit 4 të Protokollit nr. 7. Ajo është pajtuar me konkluzionin e Gjykatës së Lartë se Ligji për Amnisti të Përgjithshme ishte zbatuar gabimisht në çështjen e paditësit, dhe ka konstatuar se dhënia e një amnistie në favor të paditësit për akte që analizoheshin si krime lufte kishte përbërë një “të metë themelore” të procedurës, duke çelur kështu mundësinë për ta rigjykuar të interesuarin.
2. Vërejtjet e palëve përpara Dhomës së Madhe
a) Paditësi
100. Paditësi pretendon se veprat në fjalë në të dyja procedurat penale të drejtuara kundër tij kishin të njëjtën bazë faktesh dhe se cilësimi i veprave si krime lufte në procedurën e dytë nuk i ndryshonte asgjë faktit që akuzat në ngarkim të tij ishin në thelb identike.
101. Ai çmon për më tepër se një vendim që e amniston një të pandehur duhet të merret si vendim i formës së prerë i cili përjashton çdolloj procesi të ri.
b) Qeveria
102. Në vërejtjet e saj me shkrim, Qeveria mbron mendimin se, në procedurën e parë, Gjykata e Qarkut të Osijekut e ka zbatuar Ligjin për Amnisti pa i përcaktuar faktet e çështjes dhe pa marrë vendim rreth fajësisë së paditësit. Sipas saj, vendimi i marrë në këtë mënyrë nuk i jepte përgjigje pyetjes nëse paditësi i kishte kryer krimet për të cilat akuzohej as nuk parashtronte ndonjë vlerësim për akuzat e numëruara në aktakuzë. Në paragrafin 33 të vërejtjeve të saj, Qeveria nxjerr nga kjo se ky vendim nuk është i veshur me autoritetin e gjësë së gjykuar. Ajo deklaron gjithsesi më pas (në paragrafin 37 të të njëjtave vërejtje) se ai u përgjigjet të gjitha kritereve të autoritetit të gjësë së gjykuar dhe mund të konsiderohet kështu si një vendim i formës së prerë për dhënie pafajësie ose për dënim në kuptimin e nenit 4 të Protokollit nr. 7.
103. Duke u mbështetur gjerësisht te konkluzionet e Dhomës, Qeveria shton se asnjë amnisti nuk mund të jepet lidhur me krime lufte dhe se dhënia e një amnistie në çështjen në fjalë e ka njollosur kështu procedurën me një të metë themelore.
104. Qeveria vë në dukje se, pas braktisjes së procedurës së parë, ka dalë që viktimat, para se të vriteshin, ishin arrestuar dhe torturuar. Këto elemente të reja do të mjaftonin për t’i cilësuar aktet në fjalë si krime lufte kundër popullsisë civile më shumë sesa si vrasje “të zakonshme”.
105. Qeveria shpjegon se shteti kroat e ka nxjerrë Ligjin për Amnisti të Përgjithshme me qëllim që të respektojë zotimet e saj ndërkombëtare të cilat rrjedhin nga Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Jugosllavisë, dhe se ky ligj synonte në thelb që të nxiste pajtimin në gjirin e shoqërisë kroate në një kohë kur lufta vazhdonte ende. Sipas Qeverisë, ky ligj i përjashtonte shprehimisht krimet e luftës nga fusha e vet e veprimit.
106. Në çështjen në fjalë, Ligji për Amnisti të Përgjithshme qenka zbatuar në një mënyrë të kundërt me vetë qëllimin e tij dhe në shkelje të detyrimeve ndërkombëtare të Kroacisë, sidomos të atyre që rrjedhin nga nenet 2 dhe 3 të Konventës.
107. Për sa u përket procedurave të ndjekura nga autoritetet kombëtare, Qeveria mbron mendimin se procesi i paditësit ka qenë i drejtë, pa paraqitur asnjë argument për sa i përket pikës nëse procedurat janë kryer në përputhje me rregullat e Kodit kroat të Procedurës Penale.
c) Pala e tretë
108. Grupi i ekspertëve universitarë vë në dukje se nuk ka asnjë traktat shumëpalësh që ta ndalojë shprehimisht përdorimin e amnistive për krimet ndërkombëtare. Ai shpjegon se Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (“KNKK-ja”) e interpreton nenin 6 § 5 të Protokollit të Dytë Shtesë të Konventave të Gjenevës në një mënyrë të tillë që lë të kuptohet se shtetet nuk mund t’i amnistojnë personat e dyshuar, të akuzuar apo të njohur fajtorë për krime lufte. Mirëpo, një analizë e punimeve përgatitore të këtij neni treguaka se vetëm shtetet që e kanë përmendur çështjen e autorëve të krimeve ndërkombëtare, konkretisht ish-BRSS dhe disa nga shtetet satelite të tij, e lidhkan këtë subjekt me atë të mercenarëve të huaj. Palës së tretë i duket e çuditshme që KNKK-ja e interpreton nenin 6 § 5 sikur përjashton nga fusha e tij e zbatimit vetëm kriminelët e luftës dhe jo autorët e krimeve të tjera ndërkombëtare, përderisa deklaratat e ish-BRSS-së te të cilat bazohet KNKK-ja parashikonin në mënyrë specifike, sipas saj, nisjen e ndjekjeve kundër autorëve të krimeve të luftës ose kundër paqes. Grupi i ekspertëve universitarë e ka të vështirë të shohë se cilat janë ato argumente që e përligjkan që nga fusha potenciale e zbatimit të amnistive të përjashtohen kriminelët e luftës, por jo autorët e gjenocideve ose të krimeve kundër njerëzimit. Përveç kësaj, KNKK-ja iu referuaka disa shembujve konfliktesh jo ndërkombëtare si ato që janë zhvilluar në Afrikën e Jugut, në Afganistan, në Sudan e në Taxhikistan, ndërkohë që amnistitë në lidhje me këto konflikte përfshikan që të gjitha të paktën një krim ndërkombëtar.
109. Pala e tretë përmend vështirësitë që e shoqëruakan negocimin e klauzolave të amnistisë nëpër traktate (ajo rikujton Konferencën e Romës të vitit 1998 e cila ka çuar në krijimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (“GjPN”), negociatat e Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave Kundër Zhdukjeve me Pahir, si edhe Deklaratën e vitit 2012 të Mbledhjes së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme rreth Shtetit të së Drejtës në Nivel Kombëtar e Ndërkombëtar). Këto vështirësi zbuluakan mungesën e konsensusit ndërmjet shteteve rreth kësaj pike.
110. Pala e tretë mbështetet në një rrymë të doktrinës lidhur me amnistitë[6], e cila përpiqet sipas saj të tregojë se, që nga Lufta e Dytë Botërore, shtetet po i përdorin gjithnjë e më shumë ligjet për amnisti. Duke e pranuar se numri i ligjeve të reja për amnisti të cilat i përjashtojnë krimet ndërkombëtare është në rritje, ajo siguron se po ashtu ndodh edhe me numrin e amnistive të dhëna për krime të tilla. Amnistitë përbëkan formën e drejtësisë së tranzicionit që përdoret më dendur. Përdorimi i amnistive në marrëveshjet për paqe të lidhura midis viteve 1980 dhe 2006 paska mbetur relativisht po aq.
111. Për palën e tretë, ndonëse disa juridiksione ndërkombëtare e rajonale kanë shprehur mendimin se e drejta ndërkombëtare i ndalon amnistitë në rastet e krimeve ndërkombëtare, autoriteti i vendimeve të tilla gjyqësore dobësohet për shkak të mungesës së koherencës së tyre për sa u përket rrezes së veprimit të këtij ndalimi dhe krimeve për të cilat ato zbatohen. Grupi i ekspertëve universitarë citon shembullin e Gjykatës Ndëramerikane të të Drejtave të Njeriut, e cila paska deklaruar në çështjen Barrios Altos të vitit 2001 se të gjitha klauzolat e amnistisë ishin të papranueshme sepse synonin që të pengonin hetimet rreth shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe dënimin e autorëve të tyre, kurse në çështjen e Masakrave të El Mozote-s k. Salvadorit kryetari i këtij juridiksioni dhe katër gjyqtarë të tjerë e paskan zbutur këtë qëndrim duke pranuar se, edhe në rastet e shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut, detyrimi për ndjekje nuk ishte absolut dhe duhej të vihej në balancë me nevojat e ngutshme të proceseve të paqes e të pajtimit në situatat e pasluftës.
112. Përveç kësaj, një numër i caktuar juridiksionesh supreme kombëtare i paskan lënë në fuqi ligjet për amnisti të vendeve të tyre duke qenë të mendimit se ligje të tilla japin ndihmesë në vendosjen e paqes, të demokracisë e të pajtimit. Pala e tretë citon shembujt e mëposhtëm: konkluzionet e Gjykatës së Lartë spanjolle në kuadër të procesit të gjyqtarit Garzón në shkurt 2012, vendimin e Gjykatës Kushtetuese ugandeze që e ka deklaruar si në përputhje me Kushtetutën Ligjin për Amnisti të vitit 2000, refuzimin e Gjykatës së Lartë braziliane në prill 2010 për ta shfuqizuar Ligjin e Amnistisë të vitit 1979, dhe lënien në fuqi nga Gjykata Kushtetuese afrikanojugore, në çështjen AZAPO, të kushtetutshmërisë së Ligjit të vitit 1995 për Nxitjen e Bashkimit Kombëtar dhe të Pajtimit, i cili parashikonte një përdorim të gjerë të amnistisë.
113. Pala e tretë e pranon se dhënia e një amnistie mundet që, në disa raste, të shpjerë në pandëshkueshmëri të personave përgjegjës për shkelje të të drejtave themelore të njeriut dhe t’i pengojë kështu përpjekjet që synojnë t’i garantojnë të drejta të tilla. Sidoqoftë, paska arsye të shëndosha politike që folkan në favor të përdorimit të amnistisë atëherë kur kjo e fundit përbën mjetin e vetëm për të dalë nga diktatura të dhunshme dhe nga konflikte pa fund. Pala e tretë deklaron se është kundër një ndalimi të plotë të amnistive dhe në favor të një qasjeje më të nuancuar në mënyrën se si duhet të shtrohet çështja e dhënies së amnistive.
3. Vlerësimi i Dhomës së Madhe
a) Rreth pikës së identitetit të veprave për të cilat është ndjekur paditësi
114. Në çështjen Zolotukhin, Gjykata ka dalë në përfundimin se neni 4 i Protokollit nr. 7 duhej të kuptohej se e ndalonte ndjekjen dhe gjykimin e një personi për një “vepër” të dytë për aq kohë sa kjo e fundit ka si zanafillë fakte identike ose fakte që janë në thelb të njëjtat (Sergey Zolotukhin k. Rusisë, [DhM], nr. 14939/03, § 82, GjEDNj 2009).
115. Në çështjen në fjalë, Gjykata vë re se, në të dyja procedurat, paditësi është akuzuar:
– se ka vrarë S.B. e V.B. dhe i ka shkaktuar plagë të rënda Sl.B. më 20 nëntor 1991;
– se ka vrarë N.V. dhe Ne.V. më 10 dhjetor 1991.
116. Prandaj, përderisa të dyja procedurat kanë të bëjnë me akuzat e sipërpërmendura, paditësi është ndjekur vërtet dy herë për të njëjtat vepra.
b) Natyra e vendimeve të marra në procedurën e parë
117. Gjendemi në prani të dy situatave të dallueshme lidhur me akuzat e ngritura ndaj paditësit njëherësh në procedurën e parë dhe në atë të dytë.
118. Së pari, më 25 janar 1996, prokurori i tërhoqi akuzat lidhur me vrasjet e pretenduara të N.V. e Ne.V. më 10 dhjetor 1991 (paragrafët 120 e 121 të mëposhtëm).
119. Së dyti, me një vendim të marrë më 24 qershor 1997 në zbatim të Ligjit për Amnisti të Përgjithshme, Gjykata e Qarkut të Osijekut i dha fund procedurës lidhur me vrasjet e pretenduara të S.B. e të V.B. dhe me plagosjet e rënda të shkaktuara ndaj Sl.B. më 20 nëntor 1991 (paragrafët 122 e vijues të mëposhtëm).
i. Tërheqja e akuzave nga prokurori
120. Gjykata ka çmuar tashmë se heqja dorë prej ndjekjes penale nga ana e një prokurori nuk ishte e barasvlershme as me një dënim, as me një dhënie pafajësie dhe se, për rrjedhojë, neni 4 i Protokollit nr. 7 nuk gjente zbatim në këtë situatë (Smirnova e Smirnova k. Rusisë (vend. pran.), nr. 46133/99 dhe nr. 48183/99, 3 tetor 2002, dhe Harutyunyan k. Armenisë (vend. pran.), nr. 34334/04, 7 dhjetor 2006).
121. Për pasojë, heqja dorë e prokurorisë nga ndjekjet lidhur me vrasjet e N.V. dhe Ne.V. nuk ka të bëjë me nenin 4 të Protokollit nr. 7 të Konventës. Si rrjedhim, kjo pjesë e ankimit është e papajtueshme ratione materiae me dispozitat e Konventës.
ii. Heqja dorë nga procedura në zbatim të Ligjit për Amnisti të Përgjithshme
122. Për sa i përket pjesës tjetër të akuzave (vrasjet e V.B. e të S.B. dhe plagosjet e rënda të shkaktuara ndaj Sl.B.), procedurës së parë penale të drejtuar kundër paditësit iu dha fund në zbatim të Ligjit për Amnisti të Përgjithshme.
123. Në kuadër të shqyrtimit të saj lidhur me vendimin e datës 24 qershor 1997, Gjykata do të shohë fillimisht nëse neni 4 i Protokollit nr. 7 gjen vend për zbatim në rrethanat e veçanta të çështjes në fjalë, duke pasur parasysh faktin se paditësit i është dhënë një amnisti e pakushtëzuar për akte që analizohen si shkelje të rënda të të drejtave themelore të njeriut.
α) Situata në vështrim të Konventës
124. Gjykata vë re se procedurat penale të ndjekura kundër paditësit kishin të bënin konkretisht me akuza për vrasje dhe goditje e plagosje të rënda të kryera ndaj civilëve dhe vinin pra në pikëpyetje të drejtën e këtyre të fundmëve për jetën, të garantuar nga neni 2 i Konventës, madje edhe të drejtat e tyre në vështrim të nenit 3. Rreth kësaj pike, ajo rikujton se këto dy dispozita figurojnë mes neneve parësore të Konventës dhe sanksionojnë disa nga vlerat themelore të shoqërive demokratike që përbëjnë Këshillin e Evropës (shih, ndër shumë të tjerë, Andronicou e Constantinou k. Qipros, 9 tetor 1997, § 171, Recueil 1997‑VI, dhe Solomou me të tjerë k. Turqisë, nr. 36832/97, § 63, 24 qershor 2008).
125. Detyrimet për ta mbrojtur të drejtën për jetën dhe për ta siguruar mbrojtjen kundër keqtrajtimeve, të cilat diktohen përkatësisht nga neni 2 e nga neni 3 i Konventës, të kombinuara me detyrën e përgjithshme që i bie shtetit në bazë të nenit 1 të Konventës për t’i “sigur[uar] çdokujt që ndodhet në juridiksionin e [tij] të drejtat dhe liritë e përcaktuara në (...) Konvent[ë]”, kërkojnë gjithashtu, në mënyrë të nënkuptuar, që të ketë një formë hetimi zyrtar efektiv atëherë kur përdorimi i forcës ka sjellë vdekje njeriu (shih, mutatis mutandis, McCann me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar, 27 shtator 1995, § 161, seria A nr. 324, dhe Kaya k. Turqisë, 19 shkurt 1998, § 86, Recueil 1998‑I) ose keqtrajtime (El Masri k. ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë [DhM], nr. 39630/09, § 182, GjEDNj 2012). Në thelb, fjala është që, përmes një hetimi të tillë, të sigurohet zbatimi efektiv i ligjeve të brendshme që e mbrojnë të drejtën për jetën si edhe të garantohet që personat përgjegjës të detyrohen të përgjigjen për aktet e tyre.
126. Gjykata ka dalë tashmë në përfundimin se, kur një agjent publik akuzohet për krime lidhur me akte torture ose keqtrajtimesh, është me rëndësi të dorës së parë që procedura dhe dënimi të mos ndeshen me parashkrimin dhe që të mos lejohet zbatimi i masave të tilla si amnistia apo falja (Abdülsamet Yaman k. Turqisë, nr. 32446/96, § 55, 2 nëntor 2004, Okkalı k. Turqisë, nr. 52067/99, § 76, GjEDNj 2006‑XII, dhe Yeşil e Sevim k. Turqisë, nr. 34738/04, § 38, 5 qershor 2007). Ajo ka çmuar në veçanti se autoritetet kombëtare nuk duhej në asnjë rast të linin përshtypjen se ishin të prira për t’i lënë pa ndëshkuar trajtime të tilla (Egmez k. Qipros, nr. 30873/96, § 71, GjEDNj 2000‑XII, dhe Turan Cakir k. Belgjikës, nr. 44256/06, § 69, 10 mars 2009). Në vendimin e saj lidhur me çështjen Ould Dah k. Francës ((vend. pran.), nr. 13113/03, GjEDNj 2009), Gjykata, duke ndjekur shembullin e Komitetit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara dhe të GjPNJ, ka qenë e mendimit se amnistia ishte në përgjithësi e papajtueshme me detyrimin që kanë shtetet për të hetuar rreth akteve të torturës dhe se, për këtë arsye, nuk mund të vihej sërish në pikëpyetje detyrimi për t’i ndjekur kriminelët duke dhënë pandëshkueshmëri përmes një ligji amnistie i cili mund të konsiderohet si abuziv në vështrim të së drejtës ndërkombëtare.
127. Detyrimi që kanë shtetet për t’i ndjekur autorët e akteve të torturës ose të vrasjeve është i përcaktuar pra mirë në jurisprudencën e Gjykatës. Nga kjo e fundit del që dhënia e përfitimit nga amnistia autorëve të vrasjeve dhe të keqtrajtimeve të civilëve do të ishte në kundërshtim me detyrimet që rrjedhin për shtetet nga nenet 2 dhe 3 të Konventës, në qoftë se kjo masë do t’i pengonte hetimet rreth akteve të tilla dhe do të çonte medoemos në dhënie pandëshkueshmërie për autorët e tyre. Një rezultat i tillë do ta komprometonte vetë qëllimin e mbrojtjes së siguruar nga nenet 2 e 3 të Konventës dhe do t’i bënte të rreme garancitë lidhur me të drejtën për jetën dhe për të mos u keqtrajtuar. Mirëpo objekti dhe qëllimi i Konventës, si instrument mbrojtjeje i qenieve njerëzore, kërkojnë që këto dispozita të kuptohen e të zbatohen në një mënyrë të tillë që t’i bëjë kërkesat e tyre konkrete dhe efektive (McCann me të tjerë, i cituar më lart, § 146).
128. Sigurisht, çështja në fjalë ka të bëjë me pretendime për shkelje të nenit 4 të Protokollit nr. 7 dhe jo të neneve 2 e 3 të Konventës. Megjithatë, Gjykata rikujton se dispozitat e Konventës dhe të protokolleve të saj duhet të lexohen si një e tërë e të interpretohen në mënyrë të tillë që ta nxitin koherencën e brendshme dhe harmoninë midis dispozitave të ndryshme të saj (Stec me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar (vend. pran.) [DhM], nr. 65731/01 e nr. 65900/01, § 48, GjEDNj 2005‑X, dhe Austin me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 39692/09, 40713/09 e 41008/09, § 54, GjEDNj 2012). Për pasojë, garancitë e sanksionuara nga neni 4 i Protokollit nr. 7 dhe detyrimet që u takojnë shteteve në bazë të neneve 2 e 3 të Konventës duhet të konsiderohen si pjesë të një të tëre.
β) Situata në vështrim të së drejtës ndërkombëtare
129. Gjykata nuk ka sesi të mos e marrë parasysh ecurinë e së drejtës ndërkombëtare në këtë fushë. Konventa dhe protokollet e saj duhet të interpretohen jo në mënyrë të veçuar, por në mënyrë të tillë që të pajtohen me parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare, pjesë përbërëse të së cilës ato janë. Në bazë të nenit 31 § 3 c) të Konventës së Vjenës të vitit 1969 për të Drejtën e Traktateve, interpretimi i një traktati duhet të bëhet duke pasur parasysh “çdo rregull përkatës të së drejtës ndërkombëtare që zbatohet në marrëdhëniet midis palëve”, sidomos ata lidhur me mbrojtjen ndërkombëtare të të drejtave të njeriut (Al-Adsani k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 35763/97, § 55, GjEDNj 2001‑XI, Demir e Baykara k. Turqisë [DhM], nr. 34503/97, § 67, GjEDNj 2008, Saadi k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 13229/03, § 62, GjEDNj 2008, Rantsev k. Qipros e Rusisë, nr. 25965/04, §§ 273-274, GjEDNj 2010, dhe Nada k. Zvicrës [DhM], nr. 10593/08, § 169, GjEDNj 2012).
130. Gjykata i mban shënim vërejtjet e Dhomës se “[p]ranohet gjithnjë e më shumë se dhënia e një amnistie lidhur me “krime ndërkombëtare” – të cilat përfshijnë krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe gjenocidet – është e ndaluar nga e drejta ndërkombëtare” dhe “[k]y koncept buron nga rregullat zakonore të së drejtës ndërkombëtare humanitare, nga traktatet në fushën e të drejtave të njeriut, si edhe nga vendimet e gjykatave ndërkombëtare e rajonale e nga praktika që po krijohet prej shteteve, duke ditur që vërehet një prirje në rritje e juridiksioneve ndërkombëtare, rajonale dhe kombëtare për t’i shfuqizuar amnistitë e përgjithshme të nxjerra prej qeverive”.
131. Është e udhës të vërehet se sot përdorimin e amnistisë lidhur me shkeljet e rënda të të drejtave themelore të njeriut nuk e ndalon shprehimisht asnjë traktat ndërkombëtar. Sigurisht, neni 6 § 5 i Protokollit të Dytë Shtesë të Konventave të Gjenevës lidhur me mbrojtjen e viktimave të konflikteve të armatosura jo ndërkombëtare përcakton se “[n]ë pushimin e luftimeve, autoritetet në pushtet do të përpiqen që t’u japin amnisti sa më të gjerë personave që do të kenë marrë pjesë në konfliktin e armatosur ose të cilëve do t’u jetë hequr liria për arsye në lidhje me konfliktin e armatosur (...)”; megjithatë, interpretimi që jep për këtë nen Gjykata Ndëramerikane e të Drejtave të Njeriut i përjashton nga fusha e tij e zbatimit autorët e krimeve të luftës ose të krimeve kundër njerëzimit (shih, në paragrafin 65 të mësipërm, vendimin Masakrat e El Mozote-s me rrethina k. Salvadorit, § 286). Sipas Gjykatës Ndëramerikane, një konkluzion i tillë rrjedh nga detyrimet që e drejta ndërkombëtare u dikton shteteve për të kryer hetime e për të nisur ndjekje lidhur me krimet e luftës. Kështu, Gjykata Ndëramerikane ka gjykuar se “personat e dyshuar apo të akuzuar për krime lufte nuk mund të përfitojnë nga një amnisti”. I njëjti detyrim për hetim e për ndjekje vlen edhe për shkeljet e rënda të të drejtave themelore të njeriut dhe amnistitë e parashikuara nga neni 6 § 5 i Protokollit të Dytë Shtesë të Konventave të Gjenevës nuk janë pra aq më pak të zbatueshme për akte të tilla.
132. Nga ana tjetër, mundësia që ka një shtet për të amnistuar autorët e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut mund të jetë e kufizuar nga traktatet në të cilat është palë shteti. Disa konventa ndërkombëtare e parashikojnë detyrimin për t’i ndjekur autorët e disa krimeve që përkufizohen aty (shih Konventat e Gjenevës të vitit 1949 për mbrojtjen e viktimave të luftës dhe protokollet e tyre shtesë, veçanërisht nenin 3 të përbashkët për Konventat e lartpërmendura, nenet 49 e 50 të Konventës (I) për përmirësimin e fatit të të plagosurve dhe të sëmurëve në forcat e armatosura në fushatë, nenet 50 e 51 të Konventës (II) për përmirësimin e fatit të të plagosurve, të sëmurëve dhe anijembyturve të forcave të armatosura në det, nenet 129 e 130 të Konventës (III) për trajtimin e robërve të luftës, si edhe nenet 146 e 147 të Konventës (IV) për mbrojtjen e personave civilë në kohë lufte; shih gjithashtu nenet 4 e 13 të Protokollit Shtesë (II) të vitit 1977 të Konventave të Gjenevës për mbrojtjen e viktimave të konflikteve të armatosura jo ndërkombëtare, nenin V të Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit, si edhe Konventën kundër Torturës dhe Dënimeve ose Trajtimeve të Tjera Mizore, Çnjerëzore ose Poshtëruese).
133. Konventa për Mosparashkrimin e Krimeve të Luftës dhe të Krimeve kundër Njerëzimit e ndalon parashkrimin për këto dy kategori krimesh.
134. Rreth temës së pandëshkueshmërisë dhe të dhënies së amnistive lidhur me shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut, organe të ndryshme ndërkombëtare kanë nxjerrë rezoluta, rekomandime ose vërejtje në të cilat vihet përgjithësisht në dukje se autorët e shkeljeve të tilla të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare nuk duhet të përfitojnë amnisti (paragrafët 45, 47-49, 51-53, dhe 56-58 të mësipërm).
135. Disa juridiksione ndërkombëtare kanë gjykuar se masat për amnisti nuk mund të pranoheshin kur ato merreshin për të penguar hetimet rreth shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut apo rreth akteve që përbëjnë krime në vështrim të së drejtës ndërkombëtare si edhe ndëshkimin e personave përgjegjës për këtë lloj dhunimesh (paragrafët 54 e 59-68 të mësipërm).
136. Ndonëse formulimi i nenit 4 të Protokollit nr. 7 e kufizon zbatimin e tij në nivelin kombëtar, është e udhës të vërehet se rrezja e veprimit të disa instrumenteve ndërkombëtare shtrihet në çdo proces të ri në një shtet tjetër ose para një gjykate ndërkombëtare. Për shembull, neni 20 i Statutit të GjPN-së përmban një përjashtim të qartë nga parimi non bis in idem përderisa e lejon GjPN-në që ta ndjekë një person të cilit i është dhënë tashmë pafajësia nga një juridiksion tjetër për krimin e gjenocidit, për krime kundër njerëzimit ose për krime lufte, nëse procedura para juridiksionit tjetër kishte për qëllim që ta shpëtonte personin në fjalë nga përgjegjësia e vet penale për krime që i përkasin kompetencës së GjPN-së.
137. Gjykata e mban shënim argumentin e palës së tretë lidhur me mungesën e konsensusit midis shteteve në nivel ndërkombëtar për sa i përket një ndalimi absolut të përdorimit të amnistisë për shkelje të rënda të të drejtave themelore të njeriut, sidomos të atyre të garantuara nga nenet 2 dhe 3 të Konventës. Pala e tretë ka shprehur gjithashtu mendimin se, e përdorur si mjet për t’i dhënë fund konflikteve të zgjatura, amnistia mund të çojë në rezultate pozitive (shih vërejtjet e palës së tretë të përmbledhura në paragrafët 108-113 të mësipërm).
138. Gjykata e mban gjithashtu shënim jurisprudencën e Gjykatës Ndëramerikane të të Drejtave të Njeriut, sidomos çështjet Barrios Altos k. Perusë, Gomes Lund me të tjerë k. Brazilit, Gelman k. Uruguait dhe Masakrat e El Mozote-s me rrethina k. Salvadorit, të cituara më lart, në të cilat ky juridiksion i lartë, duke u bazuar te jurisprudenca e tij e mëparshme si edhe te konkluzionet e Komisionit Ndëramerikan të të Drejtave të Njeriut, të organeve të Kombeve të Bashkuara dhe të organeve të tjera botërore e rajonale për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ka mbajtur fort qëndrim rreth kësaj pike, duke deklaruar se asnjë amnisti nuk mund të pranohej lidhur me shkelje të rënda të të drejtave themelore të njeriut. Ajo ka shpjeguar se, në raste të tilla, amnistia do ta cenonte rëndë detyrimin që kanë shtetet për të kryer hetime rreth dhunimeve të tilla dhe për të dënuar autorët e tyre (shih vendimet Gelman, § 195, dhe Gomes Lund me të tjerë, § 171, të cituar më lart). Gjykata Ndëramerikane ka nënvizuar se masa të tilla amnistie ishin në kundërshtim me të drejtat e pashmangshme të njohura nga e drejta ndërkombëtare e të drejtave të njeriut (Gomes Lund me të tjerë, § 172).
γ) Konkluzioni i Gjykatës
139. Në çështjen në fjalë, Gjykata e Qarkut i ka dhënë paditësit një amnisti për disa akte, konkretisht vrasje civilësh dhe goditje e plagosje të rënda të shkaktuara ndaj një fëmije, të cilat analizohen si shkelje të rënda të të drejtave themelore të njeriut, duke nënvizuar në arsyetimin e saj meritat e të interesuarit si ushtarak. Mirëpo e drejta ndërkombëtare priret përherë e më shumë për t’i konsideruar këto amnisti si të papranueshme sepse janë të papajtueshme me detyrimin e njohur gjithësisht për shtetet që t’i ndjekin dhe t’i dënojnë autorët e shkeljeve të rënda të të drejtave themelore të njeriut. Edhe sikur amnistitë të jenë të mundshme kur ato shoqërohen me rrethana të veçanta si një proces pajtimi dhe/ose një formë zhdëmtimi për viktimat, prapëseprapë amnistia e dhënë për paditësin në çështjen në fjalë do të mbetej po aq e papranueshme përderisa asgjë nuk e tregon praninë e rrethanave të tilla në këtë çështje.
140. Gjykata çmon se, duke ngritur një aktakuzë të re kundër paditësit dhe duke e dënuar atë për krime lufte kundër popullsisë civile, autoritetet kroate kanë vepruar në respekt si të detyrimeve që rrjedhin nga nenet 2 dhe 3 të Konventës ashtu edhe të kërkesave e rekomandimeve që figurojnë në mekanizmat e instrumentet ndërkombëtarë të sipërpërmendur.
141. Duke pasur parasysh çka paraprin, Gjykata del në përfundimin se neni 4 i Protokollit nr. 7 të Konventës nuk gjen pra vend për t’u zbatuar në rrethanat e çështjes në fjalë.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. E deklaron të papranueshëm, njëzëri, ankimin e bërë në bazë të nenit 4 të Protokollit nr. 7 të Konventës lidhur me të drejtën e paditësit për të mos u gjykuar ose dënuar dy herë në lidhje me akuzat për vrasje të N.V. e të Ne.V., të pushuara nga prokurori më 25 janar 1996;
2. Thotë, njëzëri, se nuk ka pasur shkelje të nenit 6 të Konventës;
3. Thotë, me gjashtëmbëdhjetë vota në favor dhe një kundër, se neni 4 i Protokollit nr. 7 i Konventës nuk është i zbatueshëm lidhur me akuzat për vrasje të S.B. e të V.B. dhe me plagosjet e rënda të shkaktuara ndaj Sl.B.
I hartuar në frëngjisht dhe në anglisht, pastaj i shpallur në seancë publike në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 27 maj 2014, në zbatim të nenit 77 §§ 2 e 3 të Rregullores.
Lawrence EarlyDean Spielmann
Këshilltar juridikKryetar
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të Rregullores, paraqitja e mendimeve më vete të mëposhtme:
– mendim pajtues i përbashkët i gjyqtarëve Spielmann, Power-Forde e Nussberger;
– mendim pajtues i përbashkët i gjyqtarëve Ziemele, Berro-Lefevre e Karakaş;
– mendim pajtues i përbashkët i gjyqtarëve Šikuta, Wojtyczek e Vehabović;
– mendim pajtues i gjyqtarit Vučinić; dhe
– mendim pjesërisht kundërshtues i gjyqtarit Dedov.
D.S.
T.L.E.
Mendimet më vete nuk janë përkthyer, por janë në anglisht dhe/ose në frëngjisht në variant(in/et) e vendimit në gjuhë zyrtare dhe mund të shihen bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
[1]. Praktika e Gjykatës së Lartë lidhur me këtë dispozitë përshkruhet në paragrafët 32 deri 34 të mëposhtëm.
[2]. E miratuar më 9 dhjetor 1948 me Rezolutën 260 (III) A të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
[3]. E miratuar më 26 nëntor 1968 dhe e hyrë në fuqi më 11 nëntor 1970. Kjo konventë është ratifikuar nga Kroacia më 12 tetor 1992.
[4]. E miratuar dhe e çelur për nënshkrim, ratifikim dhe aderim përmes Rezolutës 39/46 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të datës 10 dhjetor 1984; e hyrë në fuqi më 26 qershor 1987.
[5]. E miratuar më 22 nëntor 1969 në San Hoze, Kosta Rikë, në Konferencën e Posaçme Ndëramerikane për të Drejtat e Njeriut.
[6]. Pala e tretë u referohet burimeve të mëposhtme: Louise Mallinder, Amnesty, Human Rights and Political Transitions, Bridging the Peace and Justice Divide (Hart Publishing 2008); Louise Mallinder, Amnesties’ Challenge to the Global Accountability Norm? Interpreting Regional and International Trends in Amnesty Enactment, nën drejtimin e Francesca Lessa dhe Leigh A. Payne, Amnesty in the Age of Human Rights Accountability (CUP 2012); Tricia D. Olsen, Leigh A. Payne dhe Andrew G. Reiter, Transitional Justice in Balance, Comparing Processes, Weighing Efficacy (United States Institute of Peace Press, 2010); Leslie Vinjamuri dhe Aaron P. Boesnecker, Accountability and Peace Agreements, Mapping trends from 1998 to 2006 (shtator 2007), Centre pour le dialogue humanitaire, nr. 9.
Full & Egal Universal Law Academy