(kërkesa nr. 3738/02)
18 dhjetor 2007
tejzgjatja e proceseve gjyqësore tej afatit të arsyeshëm dhe pamundësia e vendimarrjes nga Gjykata Kushtetuese cenojnë të drejtën për një proces të rregullt ligjor
I. Faktet kryesore
1. Z. Marini dhe qeveria shqiptare në vitin 1991 themeluan ndërmarrjen e përbashkët “Marini-Albplastik” me afat dhjetë vjeçar, e specializuar në prodhimin e materialeve plastike. Statuti i shoqërisë u njoh me vendim të Këshillit të Ministrave të datës 23 prill 1991.
Shoqëria e re u regjistrua në regjistrin tregtar në bazë të procedurave përkatëse.
2. Asetet e shoqërisë përbëheshin nga një fabrikë dhe pajisjet e saj, me vlerë totale 1,500,000 lekë (afërsisht 12,497 euro), të cilat më parë i përkisnin një shoqërie me kapital shtetëror, të quajtur “Mandimpeks”. Kontributi i kërkuesit në kapitalin themeltar të shoqërisë ishte me vlerë totale 1,100,000 USD (afërsisht 834,098 euro), për t’u përdorur për rinovimin e fabrikës dhe blerjen e teknologjisë së re. Secila palë zotëronte 50% të aksioneve.
3. Në maj 1991, për të përmbushur detyrimet e përcaktuara në statut, kërkuesi nënshkroi me Edil-Plastic, kompani italiane, një kontratë në emër të shoqërisë “Marini-Albplastik” për blerjen e teknologjisë së re për prodhimin e materialeve plastike duke paguar një shumë prej 228,000 USD (afërsisht 173 000 euro). Një shumë e dytë parash do të investohej pas fazës së parë të rinovimit të fabrikës.
4. Pasi ishte kryer 60% e rinovimit të fabrikës, shteti ndërpreu veprimtarinë e shoqërisë dhe i kërkoi kërkuesit të propozonte kushte të reja bashkëpunimi. Kërkuesi nuk ra dakord. Për rrjedhojë, me një vendim të datës 3 prill 1993, Këshilli i Ministrave anuloi vendimin e tij të prillit 1991 dhe në mënyrë të njëanshme shfuqizoi marrëveshjen për themelimin e shoqërisë “Marini-Albplastik”.
a) Procedimi përpara Arbitrazhit shtetëror
5. Për të përfituar dëmshpërblim, kërkuesi u ankua në Arbitrazhin Shtetëror, i cili në atë kohë ishte organi kompetent për mosmarrëveshjet ku përfshiheshin ndërmarrjet me kapital shtetëror.
6. Në maj 1993, Arbitrazhi Shtetëror njohu vlefshmërinë e statutit të shoqërisë “Marini-Albplastik” dhe urdhëroi shtetin t’i paguante kërkuesit 341,608 euro në lidhje me fitimin e munguar shkaktuar si rezultat i ndërprerjes së vepritarisë së shoqërisë dhe 569 Euro për të mbuluar interesin bankar për investimin e shumës 228,000 USD. Gjithashtu, u urdhërua të përfundoheshin punimet e rikonstruksionit të fabrikës brenda tetorit 1993. Arbitrazhi Shtetëror rrëzoi kërkesën e kërkuesit për t’u kompensuar për pjesën e tij të aksioneve.
7. Në korrik 1993, Mbledhja e Përgjithshme të Arbitrave të Arbitrazhit Shtetëror ku u apelua vendimi i parë nga autoritetet shtetërore, la në fuqi pjesë të vendimit që e urdhëronte shoqërinë të përmbushte detyrimet e saj për të vazhduar veprimtarinë e ndërmarrjes së përbashkët. Ndërkohë, u hodh poshtë pjesa e vendimit në lidhje me dëmshpërblimin për interesin bankar dhe fitimin e munguar. Gjithashtu, çështja u ridërgua në Arbitrazhin Shtetëror për një përllogaritje të re të fitimit të munguar. Pjesa e parë e vendimit mori formë të prerë në atë datë.
8. Në nëntor 1993, Arbitrazhi Shtetëror me vendim të formës së prerë urdhëroi shtetin t’i paguante kërkuesit shumën prej 217 286 euro për fitimin e munguar në vitin 1992.
9. Në vitin 1993, në përputhje me vendimin e sipërpërmendur të formës së prerë, përmbaruesit ngrinë asetet e shoqërisë me kapital shtetëror dhe i paguan kërkuesit shumën që i takonte.
10. Pas refuzimit të Këshillit të Ministrave për të ekzekutuar vendimin e arbitrazhit, kërkuesi i bëri kërkesë Gjykatës Kushtetuese për dëmshpërblim. Në nëntor 1995, Gjykata Kushtetuese gjeti shkelje të të drejtave kushtetuese të kërkuesit dhe urdhëroi që ndaj tij të ekzekutohej vendimi i Mbledhjes së Përgjithshme të Arbitrave. KM e ekzekutoi vendimin dy vjet pas daljes së tij.
b) Seria e parë e procedimeve gjyqësore
11. Përfaqësuesit e ortakut shtetëror të “Marini-Albplastik” i`u drejtuan Gjykatës së Rrethit Tiranë për shpalljen absolutisht të pavlefshëm të vendimit të Arbitrazhit të datës 5 nëntor 1993, me arsyetimin se ai ishte marrë pasi Arbitrazhi kishte pushuar së qeni një trup vendimmarrës më 4 nëntor 1993. Gjithashtu, ata kërkuan të anulohej urdhëri i përmbarimit për ngrirjen e aseteve të shoqërisë.
12. Në nëntor 1996 dhe qershor 1997, respektivisht Gjykata e Tiranës dhe Gjykata e Apelit lanë në fuqi vendimin e Arbitrazhit Shtetëror. Vendimet e gjykatave morën formë të prerë në qershor 1997.
13. Në shtator 1996 dhe janar 1997, respektivisht, Agjencia Kombëtare e Privatizimit i shiti F-së godinën e fabrikës dhe tokën ngjitur saj, pavarësisht se ato ishin aktive të shoqërisë “Marini-Albplastik”. Kërkuesi filloi procesin kundër vendimit të privatizimit.
14. Në qershor 1998, dhjetor 1998, dhjetor 1999, dhjetor 2000 dhe maj 2001, respektivisht Gjykata e Rrethit, Gjykata e Apelit, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, Kolegjet e Bashkuara të GJL dhe Gjykata Kushtetuese i konstatuan aktet e privatizimit absolutisht të pavlefshme dhe urdhëruan ndër të tjera që fabrika të trajtohet si pjesë e aseteve të shoqërisë “Marini-Albplastik”. Së fundi, gjykatat vendase urdhëruan F-në. t’u kthejë pronësinë e fabrikës dhe tokës ngjitur saj ortakëve të shoqërisë “Marini-Albplastik”.
15. Pas një kërkese të kërkuesit, Gjykata e Tiranës nxori në janar 2000 një urdhër për ekzekutimin e vendimit të qershorit 1998. Pavarësisht urdhrit të sipërpërmendur, Ministria e Ekonomisë dhe Financave lidhi më 4 korrik 2001, një kontratë qiraje 20 vjeçare me shoqërinë D, e cila do ta përdorte fabrikën në fjalë për prodhim këpucësh. Shoqëria D, e zotëronte tashmë fabrikën dhe operonte në bazë të një kontrate qiraje 4 vjeçare të lidhur me F. në 1998. Me qëllim pezullimin e ekzekutimit të urdhrit të gjykatës të janarit 2000, shoqëria D. bëri kërkesë në Gjykatën e Tiranës për pezullim të ekzekutimit të vendimit. Gjykata e pranoi kërkesën në shkurt 2000.
c) Seria e dytë e procedimeve gjyqësore
19. Në një vendim të majit 2000, Gjykata e Tiranës shprehej se kërkuesi duhej të zbatonte kushtet e kontratës së qirasë të lidhur mes F-së dhe shoqërisë D. Në shkurt 2001, Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e gjykatës më të ulët.
20. Në dhjetor 2002, GJL u shpreh se përderisa vendimet e privatizimit u shpallën absolutisht të pavlefshme F. nuk kishte mundësi të kryente veprime juridike civile për pronën objekt gjykimi, ndaj kontrata e qirasë ishte absolutisht e pavlefshme. GJL prishi vendimet e gjykatave më të ulëta dhe pushoi gjykimin e çështjes.
21. Në kohën e marrjes së vendimit kishte mbaruar kontrata 4 vjeçare e qirasë dhe shoqëria D., me të cilën kishte lidhje procesi, e përdorte tashmë fabrikën në bazë të një kontrate të re qiraje, këtë herë të lidhur me Qeverinë.
d) Krijimi i shoqërisë së re
22. Në shkurt 2001, ndërsa vazhdonte procesi kundër shoqërisë D, Ministria e Punës dhe kërkuesi ranë dakord të formojnë një shoqëri të re “Marini-Albplastik”. Shoqëria e re u krijua në bazë të statutit të shoqërisë së parë “Marini-Albplastik” të datës 11 mars 1991, vendimit të Arbitrazhit Shtetëror të majit 1993 dhe vendimit përfundimtar në favor të kërkuesit të qershorit 1998.
23. Në statut palët njohën përgjegjësitë e tyre për moszbatim të detyrimeve të përcaktuara në kontratën e parë dhe ranë dakord të paguajnë dëmet përkatëse në bazë të vendimit të Gjykatës së Tiranës të qershorit 1998. Kapitali themeltar u nda 50% për secilën palë për një periudhë 10-vjeçare. Kërkuesi do të kishte rolin e administratorit të shoqërisë. Në maj 2001, Gjykata e Tiranës regjistroi shoqërinë e re me emrin “Marini-Albplastik” sh.p.k., me objekt aktiviteti prodhimin e materialeve plastike.
24. Në shtator 2001, ortakët organizuan mbledhjen e parë të përgjithshme të asamblesë për të përcaktuar vlerën e tyre të aksioneve. Përfaqësuesi i ndërmarrjes shtetërore parashtroi se shteti do t’i regjistronte aksionet e tij në emër të shoqërisë “Marini-Albplastik” kur kërkuesi të investonte pjesën e tij të aksioneve. Kërkuesi nuk ra dakord, me arsyetimin se ligji parashikonte që ortakët duhej t’i investonin pjesët e tyre të kapitalit në të njëjtën kohë.
25. Në korrik 2001, pavarësisht regjistrimit të shoqërisë së re në shkelje të detyrimeve të marra përsipër nga Ministria e Punës në shkurt 2001, Ministria e Ekonomisë dhe Financave, pa miratimin e kërkuesit, lidhi një kontratë qiraje 20 vjeçare me shoqërinë D. Në bazë të kontratës së re, shoqëria D, do t`a përdorte fabrikën që i përkiste shoqërisë “Marini-Albplastik” për prodhim këpucësh.
26. Në lidhje me sa më sipër, Ministria e Ekonomisë dhe Financave urdhëroi në korrik 2001 fshirjen e aktiveve të “Marini-Albplastik” nga Regjistri i Pasurive të Paluajtshme duke e regjistruar fabrikën dhe tokën si prona shtetërore.
e) Seria e katërt e procedimeve gjyqësore
27. Në gusht 2001, Gjykata e Tiranës urdhëroi pezullimin e ekzekutimit të urdhrit pas ankesës së Z. Marini për urdhrin e Z.R.P.P-së dhe institucioneve të tjera shtetërore. Në qershor 2002, kjo gjykatë pas konstatimit të fshirjes së aktiveve nga regjistri vendosi ri-regjistrimin e aktiveve të shoqërisë në regjistër. Në janar 2003, Gjykata e Apelit prishi vendimin e gjykatës së shkallës së parë për shkelje procedurale dhe i`a dërgoi çështjen për rigjykim kësaj gjykate. Në mars 2004, Gykata e Lartë nuk pranoi rekursin e kërkuesit, me arsyetimin se shkaku i rekursit nuk përfshihej në parashikimet e nenit 472 të Kodit të Procedurës Civile.
f) Seria e pestë e procedimeve gjyqësore
28. Në një datë të papërcaktuar, Gjykata e Tiranës, gjatë rigjykimit të çështjes, i kërkoi likuiduesit të shoqërisë së kërkuesit të ndërhynte në proces si palë e tretë. Në janar 2005, kjo gjykatë rrëzoi padinë e kërkuesit me arsyetimin se ai përfaqësonte një shoqëri në likuidim dhe për rrjedhojë nuk mund të ishte palë ndërgjyqëse. Vendimi u la në fuqi nga Gjykata e Apelit në maj 2005. Në janar 2007, GJL nuk pranoi rekursin e kërkuesit, me arsyetimin se shkaku i rekursit nuk përfshihej në parashikimet e nenit 472 të Kodit të Procedurës Civile.
g) Seria e gjashtë e procedimeve gjyqësore
29. Ndërkohë, shoqëria D, kishte bërë kërkesë në Gjykatën e Tiranës për pezullim ekzekutimi të vendimit të nxjerrë nga e njëjta gjykatë në janar 2000. Gjykata e pranoi kërkesën në tetor 2002.
30. Më janar 2003, Gjykata e Apelit konstatoi që shoqëria D, nuk ishte palë në procesin që çoi në nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit të janarit 2000, ndaj nuk plotësonte kushtet për të bërë një kërkesë të tillë.
31. Në prill, maj 2002 dhe nëntor 2002 respektivisht, Avokati i Popullit dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri u bënë thirrje autoriteteve të respektonin vendimet e marra për çështjen e kërkuesit. Në një letër të janarit 2003, Ministri i Ekonomisë i kërkonte Zyrës së Përmbarimit Gjyqësor të mos zbatonte urdhrin e gjykatës të janarit 2000. Në shkurt 2003, Zyra e Përmbarimit vendosi të mos zbatonte urdhrin e ekzekutimit.
32. Në shkurt 2003, gjatë një mbledhjeje të përgjithshme të asamblesë së shoqërisë, përfaqësuesi i shoqërisë shtetërore njoftoi kërkuesin për vendimin e tij për të revokuar kontratën me shoqërinë “Marini-Albplastik”. Kërkuesi e kundërshtoi këtë gjë. Për rrjedhojë, Ministria e Ekonomisë i kërkoi gjykatës të urdhëronte likuidimin e shoqërisë “Marini-Albplastik” dhe të aktiveve të saj, për mungesë interesimi nga ana e kërkuesit për veprimtaritë e shoqërisë.
h) Seria e shtatë e procedimeve gjyqësore
33. Gjykata e rrethit në mars 2003 dhe Gjykata e Apelit të qershorit 2003 pranuan kërkesën e kërkuesit dhe urdhëruan Zyrën e Përmbarimit të ekzekutonte urdhrin.
34. Në maj 2003, gjykata caktoi një likuidues dhe vendosi likuidimin e “Marini- Albplastik”. Vendimi i gjykatës së shkallës së parë u la në fuqi nga gjykata e apelit me vendim të nëntorit 2003. Në korrik 2004, Gjykata e Lartë nuk pranoi rekursin që pasoi këtë vendim, me arsyetimin se shkaku për rekursin nuk përfshihej në rastet e parashikuara nga neni 472 i Kodit të Procedurës Civile. Në mars 2004, Kolegjet e Bashkuara të GJL rrëzuan vendimet e gjykatave më të ulëta dhe e dërguan çështjen për rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.
i) Seria e fundit e procedimeve gjyqësore
35. Gjatë rigjykimit gjykata e shkallës së parë u kërkoi likuiduesve të shoqërisë “Marini-Albplastik” të bashkonin paditë në një gjykim të vetëm. Kërkuesi kundërshtoi me arsyetimin se mosmarrëveshja kishte të bënte me interesat e tij dhe jo ato të shoqërisë në likuidim.
36. Në tetor 2004, me kërkesë të likuiduesit, gjykata pushoi procesin, vendim që u la në fuqi edhe nga gjykatat më të larta respektivisht shkurt 2005 dhe prill 2006. Kërkuesi paraqiti kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar parregullsi të proceseve gjyqësore.
37. Në tetor 2004, likuiduesi i shoqërisë “Marini-Albplastik” i kërkoi kërkuesit të dorëzonte llogaritë dhe vulën e shoqërisë. Më pas, likuiduesi i kërkoi gjykatës së rrethit të vërtetonte llogaritë përfundimtare të shoqërisë dhe të urdhëronte fshirjen e saj nga regjistri tregtar. Kërkuesi kërkoi pezullim të gjykimit deri në daljen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
38. Në janar 2005, Gjykata e Tiranës vërtetoi llogaritë përfundimtare të shoqërisë dhe urdhëroi përfundimin e procesit të likuidimit. Ajo urdhëroi gjithashtu që përfundimi i procesit të likuidimit të shënohej në regjistrin tregtar. Ky vendim u la në fuqi nga Gjykata e Apelit në qershor 2005.
39. Në prill 2005, Gjykata Kushtetuese në seancë plenare me praninë e 7 nga 9 gjyqtarëve, refuzoi kërkesën e kërkuesit, meqenëse çështja nuk ishte votuar nga shumica e kërkuar/votat ishin ndarë në mënyrë të barabartë.
II. Vendimi i Gjykatës
A. Në lidhje me shkeljen e nenit 17
40. Gjykata kundërshtoi pretendimin e autoriteteve se neni 17 i Konventës nuk i lejonte kërkuesit t`u referohej parashikimeve të nenit 6 të Konventës për deklarimin e vendimeve të gjykatave vendase si jo kushtetuese. Në vlerësim të GJEDNJ, neni 17 i Konventës nuk mund të interpretohet me supozim të ndërsjelltë, se privon personat fizikë nga liritë themelore të individit të garantuara nga nenet 5 dhe 6 të Konventës[2].
B. Në lidhje me shkeljen e nenit 6 § 1
41. Kërkuesi u ankua për shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës për mosekzekutim të vendimeve të formës së prerë të dhëna në favor të tij, tejzgjatje në kohë të proceseve, mungesë arsyetimi të vendimeve të Gjykatës së Lartë dhe kufizim të së drejtës së tij për t’u dëgjuar nga gjykata. Në lidhje me vendimin e GJL të datës 27 janar 2006 kërkuesi paraqiti argumentat e tij për mungesën e paanshmërisë së kolegjit të GJL më datë 11 dhjetor 2006.
42. Në lidhje me paanshmërinë e kolegjit të GJL, Gjykata e Strasburgut çmoi se kërkesa ishte bërë në tejkalim të afatit gjashtë mujor nga data e vendimit, për këtë arsye kjo kërkesë nuk mund të shqyrtohej nga Gjykata.
43. Ndërkohë, në lidhje mungesën e arsyetimit të vendimit të GJL, GJEDNJ u shpreh se drejta që i garantohet një ndërgjyqësi prej nenit 6 të Konventës, përfshin të drejtën për arsyetimin e vendimeve të marra nga një gjykatë vendase. Megjithatë, detyrimi për të arsyetuar vendimet varet nga natyra e çdo vendimi. Sipas GJEDNJ-së arsyetimi i kufizuar i GJL tregonte se kërkuesi nuk kishte paraqitur si bazë ligjore një nga pikat e parashikuara në dispozitën e brendshme përkatëse. Për këto arsye, Gjykata çmoi se kërkesa e kërkuesit në lidhje me nenin 6 të Konventës ishte haptazi e pabazuar në kuptimin e nenit 35 § 3, ndaj e deklaroi të papranueshme në zbatim të nenit 35 § 4 të Konventës.
44. GJEDNJ theksoi se neni 6§1 i Konventës i garanton çdo personi të drejtën për t`u dëgjuar nga një gjykatë. “E drejta për një proces të rregullt” në aspektin civil nis pikërisht me të drejtën për t`u dëgjuar nga një gjykatë. Megjithatë, kjo e drejtë është objekt edhe i disa kufizimeve, të cilat nuk duhet të kufizojnë thelbin e të drejtës së personit për t`u dëgjuar nga gjykata.
45. Gjykata u shpreh se e ka konfirmuar në praktikën e saj se rreziku në një sistem të tillë qëndron në faktin se ai mund të kufizojë në mënyrë të paarsyeshme të drejtën për t’u dëgjuar nga gjykata, veçanërisht nëse proceset tejzgjaten. Ndërkohë, u vu re se procedurat e likuidimit zgjatën 4 vjet. Gjatë këtyre procedurave, kërkuesi pati mundësi të apelonte procedurat e likuidimit, për këtë arsye nuk mund të konsiderohet se atij i janë kufizuar të drejtat. GJEDNJ arriti në përfundimin se procedurat e likuidimit nuk çuan në shkelje të së drejtës së kërkuesit për t`u dëgjuar nga gjykatat vendase.
46. Në lidhje me cenimin e të drejtave të parashikuara në nenin 6 të KEDNJ si pasojë e mos arritjes së shumicës së votave në seancën e mbajtur nga Gjykata Kushtetuese, GJEDNJ arriti në përfundimin se GJK nuk mori një vendim në lidhje me kërkesën e kërkuesit jo për shkak të ndarjes së votave, por për shkak të pamundësisë të saj për të siguruar shumicën në ndonjë nga çështjet e paraqitura për gjykim, problematikë kjo e pazgjidhur nga sistemi i brendshëm rregullues. Sipas GJEDNJ-së praktikisht nuk u pranua të merrej një vendim, për këtë arsye Gjykata nuk mund të pranojë faktin se nëse rrethanat do të plotësoheshin, kërkuesi do të kishte në dorë një vendim përfundimtar në lidhje me kërkesën e tij, duke përmbushur kështu parimin e sigurisë juridike në favor të kërkuesit. Për këtë arsye, ka pasur shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës.
47. Gjykata e Strasburgut vërejti se parashikimet e nenit 6 § 1 i Konventës për proces gjyqësor të drejtë, publik dhe të shpejtë nuk do të kishin vlerë në rast se nuk mbrohet procedura e ekzekutimit të vendimeve, për këtë arsye kjo procedurë duhet të konsiderohet si pjesë e “procesit të rregullt gjyqësor”. GJEDNJ çmoi se autoritetet shtetërore kishin dështuar në ekzekutimin e pjesës së dytë të vendimit të Arbitrazhit Shtetëror, mangësi kjo e përmendur dhe në vendimin gjyqësor të qershorit 1998. Gjithashtu, Gjykata vërejti se pavarësisht krijimit të shoqërisë së re, kjo shoqëri nuk operoi asnjëherë, ndërsa autoritetet shtetërore lidhën kontrata me palë të treta duke cenuar detyrimet kontraktuale me kërkuesin. Sipas Gjykatës autoritetet shtetërore nuk kishin ndërmarrë veprime konkrete për ekzekutimin e vendimeve dhe për këto arsye është shkelur neni 6 § 1 i Konventës.
48. Gjykata vërejti se periudha që duhet marrë në shqyrtim për kërkesat në tërësi fillon me momentin kur Shqipëria dorëzoi instrumentat ratifikues të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut më 2 tetor 1996. Sipas GJEDNJ, kohëzgjatja “e arsyeshme” e procesit duhet vlerësuar në bazë të rrethanave të çështjes dhe në lidhje me kriteret e: kompleksitetit i çështjes, qëndrimit i kërkuesit dhe i autoriteteve përkatëse dhe interesat e kërkuesit në mosmarrëveshje[3].
49. Në vështrim të këtyre kritereve Gjykata vlerësoi se procesi i tretë, i katërt dhe i pestë janë zhvilluar brenda një afati të arsyeshëm. Në anën tjetër, Gjykata vlerësoi se procesi i parë dhe i dytë ishin zhvilluar në tejkalim të afateve të arsyeshme. Këto procese nuk mund të konsideroheshin komplekse. Kështu, Gjykata vëren se duke dhënë një sërë vendimesh kontradiktore në shkallë të ndryshme të gjykimit, autoritetet shqiptare kanë shfaqur një mangësi të sistemit gjyqësor për të cilin janë përgjegjës. Për këto arsye GJEDNj arriti në përfundimin se ka pasur shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës në lidhje me këto procese.
C. Në lidhje me shkeljen e nenit 13
50. Gjykata vërejti se kërkuesi kishte një pretendim të argumentuar sipas nenit 13 të Konventës. Sipas GJEDNJ, përveç apelimit kushtetues, sistemi ligjor shqiptar nuk siguron mjete të veçanta ankimi. Gjithashtu autoritetet shqiptare nuk mund të jepnin ndonjë rast ku GJK kish marrë vendim për një kërkesë për kohëzgjatje të tepruar. Sipas GJEDNJ nuk kishte prova të mjaftueshme për t`a konsideruar kërkesën sipas nenit 131 të Kushtetutës së RSH, kërkesë të një shkalle të mjaftueshme sigurie. Për këto arsye, Gjykata e Strasburgut konstatoi në rastin konkret shkelje të nenit 13 të Konventës.
D. Në lidhje me shkeljen e nenit 1 të Protokollit 1
51. Gjykata konstatoi se aksionet e Z. Marini kishin vlerë financiare dhe përbënin pronë në kuptim të nenit 1 të Protokollit 1 të Konventës. Në rastin konkret Gjykata vërejti se nuk kishte një privim të drejtpërdrejt të së drejtës së pronës në llogari të kërkuesit, por mospërmbushja e detyrimeve kontraktuale nga ana e shtetit derivoi për kërkuesin humbjen e kontrollit efektiv mbi aktivitet e shoqërisë. Gjykata çmoi se mosekzekutimi i vendimeve nga shteti në favor të kërkuesit çoi në prishjen e “ekuilibrit të drejtë” që duhet ruajtur mes kërkesave të interesit publik dhe nevojës për të mbrojtur të drejtën e kërkuesit për gëzim të qetë të pronës së tij. Për pasojë kërkuesit nuk ju sigurua e drejta për gëzim efektiv të pronës së tij duke shkelur kështu të drejtën e parashikuar në nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës.
E. Në lidhje me shkeljen e nenit 14
52. Z. Marini paraqiti kërkesën se ai ishte diskriminuar për shkak të dy shtetësisë së tij shqiptaro-amerikane. Gjykata vërejti se kërkuesi nuk mundi t`a provonte pretendimin e tij duke e rrëzuar atë në përputhje me nenin 35 § 3 dhe § 4 të KEDNJ.
F. Në lidhje me nenin 41
53. Në kuadër të shpërblimit të drejtë, që i duhej akorduar kërkuesit, Gjykata vlerësoi se shteti shqiptar duhet t`a dëmshpërblente Z. Marini në total me një shumë prej 330,000 euro për dëmin material dhe jomaterial, si edhe 5,700 euro për shpenzime gjyqësore.
[1] Ky vendim është marrë në mënyrë integrale nga libri i znj. Dajena Kumbaro “Versus Albania: jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, botim i Qendrës Evropiane dhe Civil Rights Defenders 2014. Znj. Kumbaro ka miratuar përdorimin e materialit për efekt të këtij botimi.
[2] Shih çështjen Lawless k. Irlandës (nr.3), 1 korrik 1961, Seria A.
[3] Shih çështjen Comingersoll S.A. k. Portugalisë, nr. 35382/97, GJEDNJ 2000-IV.
Full & Egal Universal Law Academy