© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA MASLOV k. AUSTRISË
(Kërkesëpadi nr. 1638/03)
VENDIM
STRASBURG
23 qershor 2008
Ky vendim është bërë i formës së prerë. Atij mund t’i bëhen rishikime në redaktim.
Në çështjen Maslov k. Austrisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e mbledhur në një Dhomë të Madhe të përbërë nga:
Jean-Paul Costa, kryetar,
Nicolas Bratza,
Peer Lorenzen,
Françoise Tulkens,
Josep Casadevall,
Ireneu Cabral Barreto,
Karel Jungwiert,
Elisabeth Steiner,
Alvina Gyulumyan,
Ineta Ziemele,
Isabelle Berro-Lefèvre,
Päivi Hirvelä,
Giorgio Malinverni,
András Sajó,
Mirjana Lazarova Trajkovska,
Ledi Bianku,
Nona Tsotsoria, gjyqtarë,
dhe nga Vincent Berger, këshilltar juridik,
Pasi e diskutoi çështjen në seancë të mbyllur më 6 shkurt dhe 28 maj 2008,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë të fundit:
PROCEDURË
1. Në zanafillë të kësaj çështjeje ndodhet një kërkesëpadi (no 1638/03) e drejtuar kundër Republikës së Austrisë dhe të cilën një shtetas bullgar, Z. Juri Maslov (“paditësi”), e ka paraqitur pranë Gjykatës më 20 dhjetor 2002, në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”).
2. Paditësi është përfaqësuar nga Z. M. Deuretsbacher, avokat pranë Dhomës së Avokatëve të Vjenës. Qeveria austriake (“Qeveria”) është përfaqësuar nga agjenti i saj, Z. F. Trauttmansdorff, ambasador, drejtor i Drejtorisë së të Drejtës Ndërkombëtare në Ministrinë federale të Punëve të Jashtme.
3. Paditësi shtronte veçanërisht si pretendim se ndalimi i qëndrimit i shpallur kundër tij dhe dëbimi i tij drejt Bullgarisë përbënin shkelje të së drejtës së tij për respektimin e jetës së tij private dhe familjare.
4. Kërkesëpadia i është caktuar seksionit të parë të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Më 2 qershor 2005, ajo u shpall pjesërisht e pranueshme nga një dhomë e këtij seksioni, e përbërë nga Christos Rozakis, Snejana Botoucharova, Anatoli Kovler, Elisabeth Steiner, Khanlar Hajiyev, Dean Spielmann dhe Sverre Erik Jebens, gjyqtarë, si edhe nga Søren Nielsen, sekretar seksioni. Më 22 mars 2007, një dhomë e të njëjtit seksion, e përbërë nga Christos Rozakis, Loukis Loucaides, Nina Vajić, Elisabeth Steiner, Khanlar Hajiyev, Dean Spielmann dhe Sverre Erik Jebens, gjyqtarë, si edhe nga Søren Nielsen, sekretar seksioni, ka dhënë një vendim sipas të cilit, me katër vota në favor e tri kundër, ishte shkelur neni 8 i Konventës dhe shteti i paditur duhej t’i paguante paditësit shumën prej 5 759,96 eurosh për kosto e shpenzime.
5. Më 24 shtator 2007, kolegji i Dhomës së Madhe i ka dhënë të drejtë kërkesës së Qeverisë, e cila kishte kërkuar dërgimin e çështjes para Dhomës së Madhe, në bazë të nenit 43 të Konventës.
6. Përbërja e Dhomës së Madhe është vendosur në përputhje me nenet 27 §§ 2 e 3 të Konventës dhe atij 24 të Rregullores.
7. Si paditësi ashtu edhe Qeveria kanë paraqitur nga një memorandum. Qeveria bullgare nuk e përdori të drejtën e saj për të ndërhyrë në procedurë (neni 36 § 1 i Konventës).
8. Një seancë është zhvilluar publikisht në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 6 shkurt 2008 (neni 59 § 3 i Rregullores).
Janë paraqitur:
– për Qeverinë
Z.F. Trauttmansdorff,përfaqësues,
ZnjaB. Ohms,
Z.C. Schmalzl, këshilltarë;
– për paditësin
Z.M. Deuretsbacher,avokat.
Gjykata i dëgjoi deklarimet e Zve Deuretsbacher e Trauttmansdorff si edhe përgjigjet e tyre për pyetjet e disa gjyqtarëve.
9. Më pas, András Sajó, zëvendësgjyqtar, e ka zëvendësuar Riza Türmen, i cili ka qenë i pamundur (neni 24 § 1 i Rregullores).
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
10. Paditësi, i lindur në tetor 1984, është tani me banim në Bullgari.
11. Në nëntor 1990, në moshën gjashtëvjeçare, ai hyri në mënyrë të ligjshme në Austri bashkë me prindërit, me të vëllanë e me të motrën e tij dhe pas kësaj ka qëndruar në mënyrë të rregullt në këtë vend. Prindërit e tij, të cilët ushtronin një punë të ligjshme, fituan ndërkohë shtetësinë austriake. I interesuari u shkollua në Austri.
12. Në fund të vitit 1998, kundër paditësit u nis një procedim penal. Ai dyshohej në veçanti se kishte kryer vjedhje automjetesh, dyqanesh dhe shpërndarësish automatikë, se kishte vjedhur shishe të zbrazura në një zonë grumbullimi, se kishte detyruar një djalë tjetër që t’i vidhte së ëmës 1 000 shilinga austriake, se e kishte shtyrë këtë djalë dhe e kishte goditur me shkelma, duke i shkaktuar kontuzione, dhe se kishte përdorur një mjet motorik pa lejen e të zotit.
13. Më 8 mars 1999, paditësi mori një leje të përhershme qëndrimi (Niederlassungsbewilligung).
14. Më 7 shtator 1999, gjykata për të mitur (Jugendgerichtshof) e Vjenës e quajti paditësin fajtor për njëzet e dy akuza për vjedhje me thyerje në rrethana rënduese të kryera në grup (gewerbsmäßiger Bandendiebstahl) dhe për tentativë vjedhjeje me thyerje në rrethana rënduese në bashkëpunim, për krijim bande (Bandenbildung), shantazh (Erpressung), ushtrim dhune (Körperverletzung) dhe përdorim të paautorizuar të një automjeti (unbefugter Gebrauch eines Fahrzeugs), shkelje të cilat ai i kishte kryer ndërmjet nëntorit 1998 dhe qershorit 1999. Ajo e dënoi të interesuarin me tetëmbëdhjetë muaj burgim, nga të cilët trembëdhjetë me kusht me vënie në provë, dhe e detyroi atë të ndjekë një kurë dezintoksikimi për toksikomani.
15. Më 11 shkurt 2000, paditësi u arrestua dhe ndaj tij u nisën ndjekje të tjera penale për një sërë vjedhjesh me thyerje të kryera ndërmjet qershorit 1999 dhe janarit 2000. I interesuari dhe bashkëpunëtorët e tij dyshoheshin se ishin futur me thyerje nëpër dyqane e restorante dhe se kishin përvetësuar aty të holla dhe mallra. Më 11 shkurt 2000, gjykata për të mitur e Vjenës mori ndaj paditësit masë burgimi të përkohshëm.
16. Më 25 maj 2000, kjo gjykatë e quajti paditësin fajtor për tetëmbëdhjetë akuza për vjedhje në rrethana rënduese dhe për tentativë vjedhjeje në rrethana rënduese dhe i dha atij një dënim me pesëmbëdhjetë muaj burgim. Duke përcaktuar dënimin, ajo quajti si rrethanë lehtësuese pohimet e paditësit dhe si rrethanë rënduese numrin e veprave penale të kryera si edhe faktin që i interesuari kishte kryer me shpejtësi shkelje të reja pas dënimit të tij të fundit. Ajo vuri re gjithashtu se paditësi, ndonëse vazhdonte të jetonte me prindërit e tij, i ishte shmangur tërësisht ndikimit të tyre edukues, mungonte shpesh në banesë dhe e kishte braktisur shkollën. Ajo vuri gjithashtu në dukje se paditësi nuk i ishte përmbajtur urdhrit që i ishte dhënë për të ndjekur një kurë dezintoksikimi. Për pasojë, ajo e tërhoqi kushtin me të cilin ishte shoqëruar dënimi i datës 7 shtator 1999. Pas këtij gjykimi, paditësi kreu dënimin e tij me burg.
17. Më 3 janar 2001, Drejtoria Federale e Policisë (Bundespolizeidirektion) e Vjenës, duke u mbështetur në nenin 36 §§ 1 e 2 (1) të ligjit të vitit 1997 për të huajt (Fremdengesetz), shpalli kundër paditësit një ndalim qëndrimi për dhjetë vjet. Duke marrë parasysh dënimet e tij, ajo vlerësoi se do të ishte në kundërshtim me interesin publik që ai të qëndronte në Austri. Meqenëse paditësi kishte kryer vepra të tjera penale pas dënimit të tij të parë, interesi i përgjithshëm për mbrojtjen e rendit dhe për parandalimin e veprave penale merrte përparësi mbi interesin e të riut për të qëndruar në Austri.
18. Me ndihmën e një avokati, paditësi bëri apelim. Sipas tij, ndalimi i qëndrimit përbënte shkelje të së drejtave të tij të garantuara nga neni 8 i Konventës, duke qenë se ai ishte i mitur, se kishte mbërritur në Austri në moshën gjashtëvjeçare, se e gjithë familja e tij jetonte në këtë vend dhe se nuk kishte asnjë të afërm në Bullgari. Ai iu referua gjithashtu nenit 38 § 1 (4) të ligjit të vitit 1997 për të huajt, që thotë se një ndalim qëndrimi nuk mund të shpallet kundër një të huaji i cili qëndron në mënyrë të ligjshme në Austri që në moshë të re.
19. Me një vendim të datës 19 korrik 2001, Drejtoria e Sigurimit Publik (Sicherheitsdirektion) e Vjenës e hodhi poshtë apelimin dhe la në fuqi vendimin e Drejtorisë Federale të Policisë.
20. Më 17 gusht 2001, paditësi iu drejtua Gjykatës Administrative (Verwaltungsgerichtshof) dhe Gjykatës Kushtetuese (Verfassungsgerichtshof). Ai theksoi se kishte mbërritur në Austri në moshën gjashtë vjeç, se ishte shkolluar në këtë vend, se nuk e fliste bullgarishten dhe se nuk kishte as të afërm, as marrëdhënie shoqërore në Bullgari. Ai tërhoqi gjithashtu vëmendjen mbi faktin se vazhdonte të ishte i mitur.
21. Më 18 shtator 2001, Gjykata Administrative e hodhi poshtë kërkesën e të interesuarit, duke arritur në përfundimin se ndalimi i qëndrimit ishte i përligjur në vështrim të nenit 8 § 2 të Konventës. Ajo vuri në dukje se paditësi kishte ardhur në Austri vetëm në moshën gjashtë vjeç. Por, sipas jurisprudencës së saj të vazhdueshme, neni 38 § 1 (4) i ligjit të vitit 1997 për të huajt e përjashtonte shpalljen e një ndalimi qëndrimi vetëm kundër atyre të huajve që ishin me qëndrim të ligjshëm në këtë vend që përpara moshës tre vjeç. Duke pasur parasysh seriozitetin dhe numrin e veprave penale të kryera nga paditësi, faktin se ai kishte kryer me shpejtësi vepra të tjera penale pas dënimit të parë, si edhe ashpërsinë e dënimeve të dhëna, Gjykata Administrative vlerësoi se ndalimi i qëndrimit nuk përbënte një ndërhyrje të shpërpjesëtuar në ushtrimin nga ana e të interesuarit e të drejtave të tij të garantuara nga neni 8, pavarësisht prej kohëzgjatjes së qëndrimit të tij në Austri dhe lidhjeve të tij familjare në këtë vend.
22. Me një vendim të datës 19 shtator 2001, Gjykata Kushtetuese e pezulloi zbatimin e vendimit të dëbimit, në pritje të vendimit të saj.
23. Duke mos përfituar nga një lirim para kohe, paditësi u lirua më 24 maj 2002. Në seancën para Gjykatës, avokati i paditësit vuri në dukje se klienti i tij e kishte përfunduar shkollimin e vet gjatë qëndrimit në burg dhe se ai i kishte ndihmuar të atit në ndërmarrjen familjare të transporteve pas daljes nga burgu.
24. Më 25 nëntor 2002, Gjykata Kushtetuese nuk pranoi ta shqyrtojë kërkesën e paditësit, duke e vlerësuar atë si të paracaktuar për të dështuar.
25. Në dhjetor 2002 u bënë pa dobi disa përpjekje për ta njoftuar paditësin për ndalimin e qëndrimit.
26. Më 18 gusht 2003, Drejtoria Federale e Policisë e Vjenës lëshoi një vendim të ri që e urdhëronte të interesuarin të largohej nga Austria.
27. Më 14 tetor 2003, vendimi iu njoftua paditësit në adresën e prindërve të tij, pastaj Drejtoria Federale e Policisë e Vjenës urdhëroi burgimin e të interesuarit me synim të dëbimit të tij. Ky u arrestua më 27 nëntor 2003.
28. Më 22 dhjetor 2003, paditësi u dëbua në drejtim të Sofjes. Sipas informatave të përcjella nga avokati i tij në seancë, ai nuk ka kryer shkelje të tjera në Bullgari dhe ka gjetur atje një punë.
29. Në seancë, Qeveria e ka informuar Gjykatën se ndalimi i qëndrimit do të përfundonte më 3 janar 2011, pra dhjetë vjet pas shpalljes së tij (paragrafi 17 i mësipërm).
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDSHME LIDHUR ME ÇËSHTJEN
A. Ligji për të huajt
30. Ligji i vitit 1997 për të huajt (Fremdengesetz) ishte në fuqi në kohën e fakteve. Pjesët e neneve 36 deri 38, të cilat kishin lidhje me çështjen, lexoheshin kështu:
Neni 36
“1) Ndaj një të huaji mund të shpallet një ndalim qëndrimi kur ka fakte të përpikta që lënë vend për të hamendësuar, mbështetur në arsye, se qëndrimi i tij
1. përbën rrezik për qetësinë, rendin dhe sigurinë publike ose
2. bie ndesh me interesa të tjerë publikë të parashikuar në nenin 8 § 2 të Konventës Evropiane të së Drejtave të Njeriut.
2) Ekzistenca e fakteve të përpikta në kuptimin e paragrafit 1 quhet e mirëqenë sidomos kur një i huaj
1. është dënuar nga një juridiksion austriak me një dënim të formës së prerë prej më shumë se tre muajsh burgim, me një dënim burgimi pjesërisht të shoqëruar me një kusht me vënie në provë ose me një dënim prej më shumë se gjashtë muajsh burgim të shoqëruar me një kusht me vënie në provë, apo është dënuar më shumë se një herë me vendim përfundimtar për të njëjtën prirje të rrezikshme për kryerje veprimesh kriminale.”
Neni 37
“1) Kur një ndalim qëndrimi (...) rrezikon të sjellë një ndërhyrje në jetën private ose familjare të të huajit, ai nuk duhet të lejohet veçse në rast nevoje të ngutshme në vështrim të njërit prej qëllimeve të shprehura në nenin 8 § 2 të Konventës Evropiane të së Drejtave të Njeriut.
2) (...) një ndalim qëndrimi nuk mund të shpallet kurrsesi në rast se rrjedhojat e tij mbi situatën e të huajit dhe të familjes së tij janë më të mëdha sesa pasojat e dëmshme që do të sillte mungesa e një mase të tillë. Në peshimin e faktorëve të lartpërmendur është e udhës të merren parasysh veçanërisht rrethanat e mëposhtme:
1. kohëzgjatja e qëndrimit dhe shkalla e integrimit të të huajit ose të anëtarëve të familjes së tij;
2. qëndrueshmëria e lidhjeve familjare e të tjera.”
Neni 38
“1) Një ndalim qëndrimi nuk mund të shpallet në qoftë se
(...)
4. i huaji ka jetuar në vendin pritës që në moshë të re dhe është vendosur aty në mënyrë të ligjshme që prej shumë vitesh.”
31. Gjykata Administrative ka gjykuar se vetëm ata të huaj të cilët kanë qenë me banim në Austri që para moshës tre vjeç quhen se kanë jetuar aty që në “moshë të re” në kuptimin e nenit 38 § 1 (4) të ligjit për të huajt (shih, për shembull, vendimin e 17 shtatorit 2001, nr. 96/18/0150, vendimin e 2 marsit 1999, nr. 98/18/0244, dhe vendimin e 21 shtatorit 2000, nr. 2000/18/0135).
B. Kodi Civil
32. Neni 21 § 2 i Kodit Civil (Allgemeines Bürgerliches Gesetzbuch) shprehet se:
“Janë të mitur ata persona që nuk e kanë mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç: (...)”
Ky version i nenit 21 të Kodit Civil ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2001. Para kësaj date, mosha madhore ishte nëntëmbëdhjetë vjeç.
III. TEKSTE NDËRKOMBËTARE LIDHUR ME ÇËSHTJEN
A. Instrumente të Këshillit të Evropës
33. Dy rekomandimet e mëposhtme të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës paraqesin një interes të veçantë në kontekstin e kësaj çështjeje.
34. Së pari, rekomandimi Rec(2000)15 i Komitetit të Ministrave mbi sigurinë e qëndrimit të imigrantëve afatgjatë thotë shprehimisht:
“4. Lidhur me mbrojtjen ndaj dëbimit
a) Çdo vendim për dëbim të një imigranti afatgjatë duhet të marrë parasysh, në respekt të parimit të përpjesëtueshmërisë dhe nën dritën e jurisprudencës së zbatueshme të Gjykatës Evropiane të së Drejtave të Njeriut, kriteret e mëposhtme:
– sjelljen personale të të interesuarit;
– kohëzgjatjen e qëndrimit;
– pasojat si për imigrantin ashtu edhe për familjen e tij;
– lidhjet që imigranti dhe familja e tij kanë me vendin e prejardhjes.
b) Në zbatim të parimit të përpjesëtueshmërisë të përcaktuar në paragrafin 4 a), shtetet anëtare duhet të marrin parasysh siç u takon kohëzgjatjen dhe natyrën e qëndrimit si edhe seriozitetin e krimit të kryer nga imigranti afatgjatë. Shtetet anëtare mund të parashikojnë sidomos që një imigrant afatgjatë nuk duhet dëbuar:
– pas pesë vjetësh qëndrim, me përjashtim të rastit kur ai është dënuar për një vepër penale me më shumë se dy vjet burgim pa kusht;
– pas dhjetë vjetësh qëndrim, me përjashtim të rastit kur ai është dënuar për një vepër penale me më shumë se pesë vjet burgim pa kusht.
Pas njëzet vjetësh qëndrim, një imigrant afatgjatë nuk duhet të jetë më i dëbueshëm.
c) Imigrantët afatgjatë që kanë lindur në territorin e një shteti anëtar ose që janë pranuar atje para moshës dhjetë vjeç e të cilët qëndrojnë atje në mënyrë të ligjshme dhe të zakonshme, nuk duhet të jenë të dëbueshëm pasi kanë mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç.
Imigrantët afatgjatë që janë të mitur, si parim, nuk mund të bëhen objekt i një mase dëbimi.
d) Në të gjitha rastet, secili shtet anëtar duhet të mundë të parashikojë, në legjislacionin e vet të brendshëm, mundësinë për ta dëbuar një imigrant afatgjatë, në qoftë se ky përbën një kërcënim të rëndë për sigurinë publike apo për sigurimin e shtetit.”
35. Së dyti, rekomandimi Rec(2002)4 rreth statusit juridik të personave të pranuar për ribashkim familjar përcakton se, kur parashikohet të merret ndonjë masë si heqja a mosripërtëritja e një lejeje qëndrimi apo dëbimi i një anëtari të familjes:
“(...) shtetet anëtare duhet të marrin në konsideratë në mënyrën e duhur disa kritere si vendlindja e tij, mosha që ka pasur kur ka hyrë brenda shtetit, kohëzgjatja e qëndrimit të tij, marrëdhëniet e tij familjare, ekzistenca e një familjeje në shtetin e prejardhjes, si edhe qëndrueshmëria e lidhjeve të tij shoqërore e kulturore me shtetin e prejardhjes. Interesi dhe mirëqenia e fëmijëve meritojnë një konsideratë të veçantë.”
B. Instrumente të Kombeve të Bashkuara
36. Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës, e miratuar më 20 nëntor 1989 dhe në të cilën Austria është palë, sanksionon:
Neni i parë
“Në këtë Konventë, me fëmijë kuptohet çdo qenie njerëzore nën moshën tetëmbëdhjetë vjeç, me përjashtim të rasteve kur mosha madhore arrihet më përpara, në përputhje me legjislacionin të cilit i nënshtrohet ai.”
Neni 3
“1. Në të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me fëmijën, të marra qoftë nga institucione publike ose private të përkrahjes shoqërore, nga gjykatat, autoritetet administrative apo organet legjislative, interesi më i lartë i fëmijës duhet të jetë konsiderata mbizotëruese.”
Neni 40
“Shtetet palë i njohin çdo fëmije të dyshuar, të akuzuar ose për të cilin është thënë se ka kryer shkelje të ligjit penal, të drejtën e një trajtimi të tillë, që zhvillon te fëmija ndjenjën e dinjitetit dhe të vlerës së personit, që përforcon tek ai ndjenjën e respektit të tij për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të tjerëve dhe që merr parasysh moshën e fëmijës si dhe dëshirën për të ndihmuar riintegrimin e tij në shoqëri dhe në mënyrë që ai të luajë një rol konstruktiv në gjirin e saj.”
37. Komiteti i të Drejtave të Fëmijës, në vërejtjet e tij përfundimtare rreth raportit të dytë periodik për Austrinë, (CRC/C/15/Add. 251, 31 mars 2005, §§ 53 dhe 54), deklaron se është i shqetësuar nga rritja e numrit të personave nën tetëmbëdhjetë vjeç që mbahen në burg – një dukuri që prek në mënyrë të shpërpjesëtuar të miturit me prejardhje të huaj – dhe, duke pasur parasysh nenin 40 të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, porosit që të merren masat e duhura për të lehtësuar riedukimin e fëmijëve që kanë pasur probleme me organet e drejtësisë për të mitur dhe rikthimin e tyre në gjirin e shoqërisë.
38. Në vërejtjen e tij të përgjithshme nr. 10 (2007) rreth të drejtave të fëmijëve në drejtësinë për të mitur (CRC/C/GC/10, 25 prill 2007, § 71), Komiteti i të Drejtave të Fëmijës saktëson lidhur me masat që duhet të merren në fushën e drejtësisë për të mitur:
“Komiteti dëshiron të theksojë se përgjigjja ndaj një shkeljeje duhet të jetë përherë në përpjesëtim jo vetëm me rrethanat dhe me seriozitetin e shkeljes, por edhe me moshën, me përgjegjshmërinë e pamjaftueshme, me situatën dhe me nevojat e fëmijës, si edhe me nevojat e ndryshme, sidomos afatgjata, të shoqërisë. Një qasje ngushtësisht ndëshkuese nuk përputhet me parimet udhëheqëse të drejtësisë për të mitur të sanksionuara në nenin 40 § 1 të Konventës për të Drejtat e Fëmijës (...). Në rast shkeljesh të rënda të kryera nga një fëmijë, mund të parashikohet të merren masa në përpjesëtim me situatën e keqbërësit dhe me seriozitetin e shkeljes, nën dritën e konsideratave lidhur me nevojën për të mbrojtur sigurinë publike dhe për t’i ndëshkuar shkelje të tilla. Në rastin e fëmijëve, konsiderata të tilla duhet të shfuqizohen gjithmonë përpara nevojës për të shpëtuar mirëqenien dhe interesin më të lartë të fëmijës, si edhe për të nxitur riintegrimin e tij.”
C. E drejta dhe praktika e Bashkimit Evropian
39. Meqenëse Austria dhe Bullgaria janë anëtare të Bashkimit Evropian përkatësisht nga 1 janari 1995 dhe 1 janari 2007, është e udhës të përmenden dy direktivat e mëposhtme mes atyre që trajtojnë çështje të migrimit, duke përfshirë edhe kushtet që duhet të respektohen për dëbimin e shtetasve të një shteti tjetër anëtar apo të një shteti të tretë.
40. Direktiva 2003/109/CE e Këshillit e 25 nëntorit 2003 rreth statusit të shtetasve të vendeve të treta me banim afatgjatë thotë në ato pjesë të saj që kanë lidhje me çështjen në fjalë:
Neni 12
“Mbrojtja kundër largimit
1. Shtetet anëtare nuk mund të marrin një vendim për largim ndaj një banuesi afatgjatë përveçse kur ai përbën një kërcënim real dhe mjaft të rëndë për rendin publik ose sigurinë publike.
2. Vendimi që ka parasysh paragrafi 1 nuk mund të përligjet me anë arsyesh ekonomike.
3. Para se të marrin një vendim për largim ndaj një banuesi afatgjatë, shtetet anëtare mbajnë parasysh elementet e mëposhtme:
a) kohëzgjatjen e qëndrimit në territorin e tyre;
b) moshën e personit në fjalë;
c) pasojat për të dhe për anëtarët e familjes së tij;
d) lidhjet me vendin ku është me banim ose mungesën e lidhjeve me vendin nga e ka prejardhjen.
(...)”
41. Pjesët që lidhen me çështjen nga teksti i dytë komunitar, direktiva 2004/38/CE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e 29 prillit 2004 rreth të drejtave të qytetarëve të Bashkimit dhe të anëtarëve të familjeve të tyre për të qarkulluar dhe për të qëndruar lirisht në territorin e shteteve anëtare, lexohen kështu:
Neni 27
“Parime të përgjithshme
1. Me kusht që të respektohen dispozitat e këtij kapitulli, shtetet anëtare mund ta kufizojnë lirinë e qarkullimit e të qëndrimit të një qytetari të Bashkimit ose të një anëtari të familjes së tij, cilado qoftë kombësia e tij, për arsye rendi publik, sigurie publike apo shëndeti publik. Këto arsye nuk mund të përdoren për qëllime ekonomike.
2. Masat për ruajtjen e rendit publik ose të sigurisë publike duhet të respektojnë parimin e përpjesëtueshmërisë dhe të jenë të bazuara vetëm te sjellja personale e individit në fjalë. E vetme, ekzistenca e dënimeve penale të mëparshme nuk mjafton për të përligjur masa të tilla.
Sjellja e personit në fjalë duhet të përbëjë një kërcënim real, aktual dhe mjaft të rëndë për një interes themelor të shoqërisë. Arsyetimet pa ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me rastin individual në fjalë ose që lidhen me arsye parandalimi në përgjithësi, nuk mund të kenë vlerë.
(...)”
Neni 28
“Mbrojtja kundër largimit
1. Para se të marrë një vendim për largim nga territori për arsye rendi publik ose sigurie publike, shteti anëtar pritës merr parasysh në veçanti kohëzgjatjen e qëndrimit të të interesuarit në territorin e tij, moshën e tij, gjendjen e tij shëndetësore, situatën e tij familjare dhe ekonomike, integrimin e tij shoqëror e kulturor në shtetin anëtar pritës, si edhe forcën e lidhjeve të tij me vendin e vet të prejardhjes.
2. Shteti anëtar pritës nuk mund të marrë një vendim për largim nga territori ndaj një qytetari të Bashkimit apo anëtarëve të familjes së tij, cilado qoftë kombësia e tyre, të cilët kanë fituar një të drejtë të përhershme qëndrimi në territorin e tij, përveçse për arsye të domosdoshme rendi publik a sigurie publike.
3. Një vendim largimi nuk mund të merret ndaj qytetarëve të Bashkimit, cilado qoftë kombësia e tyre, me përjashtim të rastit kur vendimi mbështetet në arsye serioze sigurie publike të përcaktuara nga shtetet anëtare, nëse ata:
a) kanë qëndruar në shtetin anëtar pritës gjatë dhjetë viteve të mëparshme, ose
b) janë të mitur, me përjashtim të rastit nëse largimi është i nevojshëm në interesin e fëmijës, ashtu siç parashikohet në Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës të 20 nëntorit 1989.
42. Jurisprudenca e Gjykatës së Drejtësisë të Komuniteteve Evropiane (GjDKE) tregon se çdo vendim për mospranim ose dëbim duhet të mbështetet në sjelljen personale të individit në fjalë dhe në një vlerësim të pikës nëse ky i fundit paraqet ndonjë kërcënim real, aktual e mjaft të rëndë për rendin publik, sigurinë publike apo shëndetin publik.
43. Në vendimin e saj Orfanopoulos k. Landit Baden-Vyrtemberg dhe Oliveri k. Landit Baden-Vyrtemberg të 29 prillit 2004 (çështjet C-482/01 dhe C‑493/01, pjesa udhëzuese, pikat 3-5), GjDKE ka thënë:
“3. Neni 3 i direktivës 64/221 i kundërvihet një praktike kombëtare sipas së cilës juridiksionet kombëtare, duke verifikuar ligjshmërinë e dëbimit të urdhëruar ndaj një shtetasi të një shteti tjetër anëtar, nuk ka përse të marrin në konsideratë elemente faktike të ndodhura pas vendimit të fundit të autoriteteve kompetente, të cilat mund të sjellin zhdukje ose pakësim jo të papërfillshëm të kërcënimit aktual që do të përbënte për rendin publik sjellja e personit në fjalë. I tillë është rasti sidomos nëse ka kaluar një afat i gjatë ndërmjet datës së vendimit për dëbim, nga njëra anë, dhe asaj të vlerësimit të këtij vendimi nga juridiksioni kompetent, nga ana tjetër.
4. Nenet 39 CE dhe 3 të direktivës 64/221 e kundërshtojnë një legjislacion ose një praktikë kombëtare sipas së cilës dëbimi nga territori i një shtetasi të një shteti tjetër anëtar që ka marrë një dënim të caktuar për krime konkrete shpallet pavarësisht nga marrja parasysh e konsideratave të rendit familjar, duke u mbështetur në prezumimin se ai duhet të dëbohet pa u përfillur siç duhet as sjellja e tij personale, as rreziku që ai përbën për rendin publik.
5. Neni 39 CE dhe direktiva 64/221 nuk e kundërshtojnë dëbimin e një shtetasi të një shteti anëtar që ka marrë një dënim të caktuar për krime konkrete dhe që, nga njëra anë, përbën një kërcënim aktual për rendin publik kurse, nga ana tjetër, ka qëndruar për shumë vite në shtetin anëtar pritës dhe mund t’u referohet disa rrethanave të natyrës familjare kundër këtij dëbimi, mjafton që vlerësimi i kryer rast pas rasti nga autoritetet kombëtare se ku qëndron baraspesha e drejtë mes interesave legjitime të pranishme të jetë bërë duke respektuar parimet e përgjithshme të së drejtës komunitare dhe, sidomos, duke pasur parasysh ashtu siç duhet respektimin e të drejtave themelore si mbrojtja e jetës familjare.”
44. Në vendimin e saj Komisioni i Komuniteteve Evropiane k. Spanjës të 31 janarit 2006 (çështja C-503/03, pjesa udhëzuese, pika 1), GjDKE është shprehur kështu:
“(...) duke ia refuzuar Z. Farid hyrjen në territorin e shteteve palë në marrëveshjen për heqjen shkallë-shkallë të kontrolleve në kufijtë e përbashkët, të nënshkruar më 14 qershor 1985 në Shengen, si edhe lëshimin e një vize për qëllime hyrjeje në këtë territor Zve Farid e Bouchair, shtetas të një shteti të tretë, bashkëshortë shtetasesh të një shteti anëtar, për të vetmen arsye se ata sinjalizoheshin në sistemin informativ Shengen për qëllime mospranimi, pa e pasur verifikuar paraprakisht nëse prania e këtyre personave përbënte një kërcënim real, aktual e mjaft të rëndë dhe që prekte një interes themelor të shoqërisë, Mbretëria e Spanjës nuk i është përmbajtur detyrimeve që i takojnë sipas neneve 1 deri 3 të direktivës 64/221/CEE të Këshillit, të 25 shkurtit 1964, për koordinimin e masave të posaçme për të huajt në fushën e qarkullimit e të qëndrimit, të përligjura për arsye rendi publik, sigurie publike dhe shëndeti publik.”
LIGJI
I. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 8 TË KONVENTËS
45. Paditësi ankohet për ndalimin e qëndrimit të shpallur kundër tij dhe për dëbimin e mëpasshëm drejt Bullgarisë. Ai i referohet nenit 8 të Konventës, pjesët e të cilit që lidhen me çështjen në fjalë shprehen kështu:
“1. Çdokush ka të drejtë që t’i respektohet jeta private e familjare, (...)
2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur, në një shoqëri demokratike, kjo masë është e domosdoshme për sigurimin kombëtar, për sigurinë publike, për mirëqenien ekonomike të vendit, për mbrojtjen e rendit ose për parandalimin e veprave penale, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.”
A. Vendimi i dhomës
46. Dhoma ka vënë re se ekzistenca e një ndërhyrjeje në ushtrimin nga ana e paditësit e të drejtës së tij për respektimin e jetës së vet private dhe familjare nuk mohohej.
47. Ajo e ka pranuar se masa e kundërshtuar e kishte një bazë në të drejtën e brendshme, konkretisht nenin 36 § 1 të ligjit të vitit 1997 për të huajt, dhe se nuk kishte asgjë arbitrare në mospranimin për të zbatuar nenin 38 § 1 (4) të këtij ligji, i cili, sipas jurisprudencës së vazhdueshme të Gjykatës Administrative, e përjashton shpalljen e një ndalimi qëndrimi vetëm kundër të huajve që janë me qëndrim të ligjshëm në Austri që prej moshës deri në tre vjeç. Përveç kësaj, dhoma ka vënë re se palët pajtohen në mendimin se ndërhyrja synonte një qëllim të drejtë, mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e veprave penale.
48. Pasi ka kujtuar jurisprudencën e vazhdueshme të Gjykatës rreth nenit 8 lidhur me dëbimin e të huajve të dënuar për vepra penale, veçanërisht vendimin e dhënë së fundmi nga Dhoma e Madhe në çështjen Üner k. Vendeve të Ulta ([DhM], nr. 46410/99, §§ 57-58, GjEDNj 2006‑XII), dhoma ka treguar faktorët me rëndësi për çështjen që duhet të merren parasysh, konkretisht:
– natyrën dhe seriozitetin e veprave penale të kryera nga paditësi;
– kohëzgjatjen e qëndrimit të të interesuarit në vendin pritës;
– kohën që ka kaluar midis kryerjes së veprave penale dhe diktimit të masës së kundërshtuar, si dhe sjelljen e paditësit gjatë kësaj periudhe;
– qëndrueshmërinë e lidhjeve shoqërore, kulturore dhe familjare me vendin pritës dhe me vendin e caktuar për të shkuar.
49. Duke i shqyrtuar këta faktorë të çështjes, dhoma ka pasur parasysh faktin se paditësi kishte ardhur në Austri në moshën gjashtë vjeç bashkë me familjen e tij, se ai fliste gjermanisht dhe se e kishte bërë të gjithë shkollimin e vet në Austri, se veprat penale që kishte kryer, sado që disi të rënda, ishin më shumë shembuj tipikë prapësie të rinjsh dhe, veç me ndonjë përjashtim, nuk kishin përmbajtur akte dhune e as kishin pasur të bëjnë me trafikim lëndësh narkotike. Përveç kësaj, dhoma i kushtoi rëndësi sjelljes së mirë të dëshmuar nga paditësi pas lirimit të tij në maj 2002 deri në dëbimin e tij në dhjetor 2003, qëndrueshmërisë së lidhjeve shoqërore, kulturore e familjare në Austri dhe mungesës së lidhjeve me Bullgarinë, vendin e tij të prejardhjes. Duke pasur parasysh këto elemente, ajo vlerësoi se një ndalim qëndrimi për dhjetë vjet, ndonëse i kufizuar në kohëzgjatjen e tij, ishte në shpërpjesëtim me qëllimet e drejta të synuara. Prandaj, ajo ka dalë në përfundimin se ka shkelje të nenit 8 të Konventës.
B. Tezat e palëve
1. Paditësi
50. Duke theksuar se ai ishte ende i mitur kur ndalimi i qëndrimit u shpall kundër tij, paditësi mbron mendimin se kjo masë i dëmton atij kryesisht e para së gjithash “jetën familjare”.
51. Ai pajtohet me vendimin e dhomës dhe saktëson se kjo e fundit i ka kushtuar me të drejtë një peshë të veçantë faktit se ai ishte adoleshent në kohën e kryerjes së veprave penale dhe se ato – veç me ndonjë përjashtim – nuk kishin përmbajtur akte dhune. Por nga ana tjetër, ai e kundërshton argumentin e Qeverisë sipas të cilit veprat penale të kryera nga një toksikoman, si vjedhjet, janë po aq të rënda sa edhe trafiku i lëndëve narkotike. Përveç kësaj, ai përmend qëndrueshmërinë e lidhjeve të tij familjare, duke theksuar se ka jetuar me prindërit e tij pas daljes nga burgu dhe se e ëma e ka shoqëruar madje në Bullgari kur u dëbua, për ta ndihmuar gjatë javëve të para. Ai saktëson gjithashtu se e ka kryer të gjithë shkollimin e tij në Austri dhe shton që, megjithëse e ka braktisur shkollën në kohën e kryerjes së veprave penale, ai e ka përfunduar shkollimin e tij gjatë kryerjes së dënimit në burg.
52. Së fundi, paditësi pohon se ai nuk ka lidhje familjare ose shoqërore në Bullgari. Sa për njohjen e bullgarishtes, ai ka treguar në seancë para Gjykatës se familja e tij i takonte pakicës turke në Bullgari. Për pasojë ai nuk kishte kurrfarë njohjeje të gjuhës bullgare.
2. Qeveria
53. Qeveria nuk e mohon që ndalimi i qëndrimit përbën një ndërhyrje në jetën private dhe familjare të paditësit. Megjithatë, ajo vë në dukje se, nëse paditësi ishte i mitur kur u shpall masa, ai e ka mbushur moshën madhore gjatë procedurës. Ajo shton se marrëdhënia midis një të rrituri dhe prindërve të tij nuk analizohet medoemos si një “jetë familjare”.
54. Qeveria i përqendron vërejtjet e saj te domosdoshmëria e ndërhyrjes. Ajo mbron mendimin se dhoma, në vendimin e saj, nuk e ka marrë parasysh hapësirën e shtetit për të bërë vlerësim. Kjo nuk qenka kufizuar, në fakt, me shqyrtimin nëse ishin respektuar apo jo parimet udhëheqëse të nxjerra nga jurisprudenca e Gjykatës, por e paska zëvendësuar në të vërtetë vënien në peshë nga ana e autoriteteve të brendshme me vlerësimin që ka bërë vetë. Dhoma paska vepruar pra si një gjykatë apeli apo si një juridiksion i “shkallës së katërt”.
55. Qeveria kritikon mungesën e qartësisë së jurisprudencës së Gjykatës dhe mbron mendimin se, duke parë dinamikën e kësaj jurisprudence dhe dallimet në qasje dhe në sqarim mes dhomave të ndryshme, autoritetet e brendshme e kanë të vështirë t’i shmangin disa vendime që e shkelin nenin 8 të Konventës.
56. Qeveria vlerëson se vendimi i dhomës nuk i zbaton me korrektësi kriteret e paraqitura në vendimet Boultif k. Zvicrës (nr. 54273/00, § 48, GjEDNj 2001-IX) dhe Üner (i cituar më lart, § 57). Sipas saj, veprat penale të kryera nga paditësi ishin të një serioziteti të konsiderueshëm. Fjala qenka për vepra penale të kryera nga një toksikoman, të cilave u dashka kushtuar po aq rëndësi sa edhe shkeljeve të legjislacionit rreth lëndëve narkotike. Për më tepër, dënimi i dhënë do të qenkësh veçanërisht i rëndë, po të merret parasysh se dënimi maksimal i mundshëm ishte përgjysmuar tashmë, në zbatim të nenit 5 § 4 të ligjit për gjykatat e të miturve. Përveç kësaj, paditësi nuk paskësh lidhje familjare të qëndrueshme, meqenëse i ishte shmangur ndikimit edukues të prindërve të tij dhe, ndryshe nga paditësit në çështjet Boultif dhe Üner (vendime të cituara më lart), nuk paskësh themeluar ende ndonjë familje të vetën, nuk paskësh lidhje të qëndrueshme shoqërore dhe nuk qenkësh i integruar, përderisa paskësh braktisur shkollën, nuk paskësh ndjekur ndonjë formim profesional dhe nuk paskësh punuar kurrë në Austri.
57. Qeveria kishte mbrojtur më parë mendimin se paditësi duhet t’i kishte disa nocione të gjuhës bullgare, përderisa i kishte kaluar gjashtë vitet e para të jetës së tij në Bullgari. Megjithatë, në seancë, ajo nuk e kundërshtoi shpjegimin e dhënë nga i interesuari lidhur me mosnjohjen e kësaj gjuhe nga ana e tij (paragrafi 52 i mësipërm).
58. Qeveria ngre nga ana tjetër një pikë parimore, se dhoma, në vendimin e saj, i ka kushtuar rëndësi disa fakteve të ndodhura pas vendimit të brendshëm përfundimtar, konkretisht sjelljes së mirë të paditësit pas daljes së tij nga burgu në maj 2002 deri në dëbimin e tij në dhjetor 2003.
59. Duke përmendur çështjen Kaya k. Gjermanisë (nr. 31753/02, § 57, 28 qershor 2007), ajo mbron mendimin se data që duhet mbajtur mend është ajo kur ndalimi i qëndrimit është bërë i formës së prerë në kuadër të procedurës së brendshme, prandaj Gjykata nuk u dashka të marrë parasysh asnjë ngjarje të mëvonshme. Çdo interpretim tjetër që lejon të merren parasysh fakte të ndodhura pas vendimit të brendshëm përfundimtar rënka ndesh me vetë arsyen se përse ekziston rregulli i shterimit të rrugëve të brendshme për rekurs, i vendosur nga neni 35 § 1, sipas të cilit një shteti kontraktues mund t’i kërkohet të përgjigjet për shkelje të pretenduara vetëm pasi ai ta ketë pasur rastin për t’i ndrequr ato brendapërbrenda rendit të vet juridik. Në fakt, e drejta e brendshme e parashikuaka mundësinë e një heqjeje të ndalimit të qëndrimit, qoftë me kërkesën e paditësit, qoftë me nismën e autoriteteve, pas zhdukjes së arsyeve që e kanë përligjur shpalljen e kësaj mase.
60. Qeveria shënon se kjo çështje është pak e zakontë, ngaqë, normalisht, afati midis datës kur masa e ndalimit të qëndrimit bëhet e formës së prerë dhe asaj të dëbimit është shumë i shkurtër. Koha e gjatë që ka kaluar në rastin në fjalë u shpjeguaka nga fakti se autoritetet kanë pritur që paditësi të bëhet madhor për ta dëbuar.
C. Vlerësimi i Gjykatës
1. Rreth ekzistencës së një ndërhyrjeje në të drejtën e paditësit për respektimin e jetës së tij private
61. Gjykata vlerëson se vendosja dhe ekzekutimi i masës së ndalimit të qëndrimit të shpallur kundër paditësit përbëjnë një ndërhyrje në ushtrimin nga ana e të interesuarit e të drejtës së tij për t’ia respektuar “jetën private dhe familjare”. Ajo kujton se çështja e ekzistencës së një jete familjare në kuptimin e nenit 8 duhet të vlerësohet në dritën e situatës në kohën kur masa e ndalimit të qëndrimit është bërë e formës së prerë (El Boujaïdi k. Francës, vendim i 26 shtatorit 1997, Recueil des arrêts et décisions 1997‑VI, f. 1990, § 33, Ezzouhdi k. Francës, nr. 47160/99, § 25, 13 shkurt 2001, Yildiz k. Austrisë, nr. 37295/97, § 34, 31 tetor 2002, Mokrani k. Francës, nr. 52206/99, § 34, 15 korrik 2003, dhe Kaya, i cituar më lart, § 57).
62. Paditësi ishte i mitur në kohën e vendosjes së ndalimit të qëndrimit. Ai e mbushi moshën madhore, domethënë tetëmbëdhjetë vjeç, kur kjo masë u bë e formës së prerë, në nëntor 2002, pas shpalljes së vendimit nga Gjykata Kushtetuese, por ai jetonte ende me prindërit e tij. Gjithsesi, në një numër të caktuar çështjesh lidhur me të rinj në moshë madhore që nuk e kishin themeluar ende familjen e vet, Gjykata e ka pranuar se lidhjet që ata kishin me prindërit dhe anëtarë të tjerë të familjes së tyre të afërt analizoheshin gjithashtu si një “jetë familjare” (Bouchelkia k. Francës, vendim i 29 janarit 1997, Recueil 1997-I, f. 63, § 41, El Boujaïdi, i cituar më lart, § 33, dhe Ezzouhdi, i cituar më lart, § 26).
63. Përveç kësaj, Gjykata kujton se jo të gjithë imigrantët e ngulitur, pavarësisht nga kohëzgjatja e qëndrimit të tyre në vendin nga i cili mendohet të dëbohen, e kanë medoemos një “jetë familjare” në kuptimin e nenit 8. Megjithatë, përderisa neni 8 mbron gjithashtu edhe të drejtën për të vendosur e mbajtur lidhje me njerëzit e tjerë e me botën e jashtme dhe përfshin nganjëherë aspekte të identitetit shoqëror të një individi, duhet pranuar se tërë lidhjet shoqërore midis imigrantëve të ngulitur e bashkësisë ku jetojnë ata janë pjesë përbërëse të nocionit “jetë private” në kuptimin e nenit 8. Pavarësisht nga ekzistenca ose jo e një “jete familjare”, dëbimi i një imigranti të ngulitur analizohet si cenim i së drejtës së tij për respektimin e jetës së vet private. Në funksion të rrethanave të çështjes që do t’i parashtrohet Gjykatës, ajo do të vendosë nëse është e udhës që theksi t’i vihet aspektit “jetë familjare” me shumë sesa aspektit “jetë private” (Üner, i cituar më lart, § 59).
64. Për rrjedhojë, masat që janë objekt konflikti i cenojnë paditësit njëherazi edhe “jetën private”, edhe “jetën familjare”.
65. Një ndërhyrje e tillë përbën shkelje të nenit 8 të Konventës, me përjashtim të rastit kur ajo mund të përligjet nën këndvështrimin e paragrafit 2 të këtij neni, domethënë kur, “e parashikuar nga ligji”, ajo synon një a disa nga qëllimet e drejta të numëruara në këtë dispozitë dhe kur është “e domosdoshme, në një shoqëri demokratike” për realizimin e tij apo të tyre.
2. “E parashikuar nga ligji”
66. Masa që është objekt i konfliktit e kishte një bazë në të drejtën e brendshme, konkretisht në nenin 36 § 1 të ligjit të vitit 1997 për të huajt. Paditësi nuk i qëndron argumentit se Gjykata Administrative nuk ka pranuar arbitrarisht ta zbatojë nenin 38 § 1 (4) të këtij ligji. Dhoma e Madhe, ashtu si dhoma, vë re se, sipas jurisprudencës së vazhdueshme të Gjykatës Administrative, neni 38 § 1 (4) zbatohet vetëm për të huajt që kanë jetuar në Austri që prej moshës deri në tre vjeç dhe që kanë qëndruar në këtë vend në mënyrë të ligjshme (paragrafët 31 e 47 të mësipërm). Paditësi ka mbërritur në Austri vetëm në moshën gjashtë vjeç. Dhoma e Madhe nuk sheh pra kurrfarë arsyeje që të distancohet nga përfundimi i dhomës sipas të cilit ndërhyrja e kundërshtuar ishte “e parashikuar nga ligji’.
3. Qëllimi i drejtë
67. Nuk mohohet se ndërhyrja ndjek një qëllim të drejtë, atë për “mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e veprave penale”.
4. “E domosdoshme në një shoqëri demokratike”
a) Parime të përgjithshme
68. Pyetja thelbësore të cilës duhet t’i jepet një përgjigje e prerë është ajo nëse ndërhyrja përbën apo jo diçka “të domosdoshme në një shoqëri demokratike”. Parimet themelore në këtë lëndë janë ngulitur mirë në jurisprudencën e Gjykatës dhe janë përmbledhur së fundmi si më poshtë: (Üner, i cituar më lart, §§ 54-55 dhe 57-58):
“54. Gjykata ripohon që në fillim se, sipas një parimi të së drejtës ndërkombëtare të ngulitur mirë, shtetet kanë të drejtën që, pa i shkelur zotimet që rrjedhin për ta nga traktatet, të kontrollojnë hyrjen e joshtetasve në territorin e vet (shih, mes shumë të tjerësh, Abdulaziz, Cabales dhe Balkandali k. Mbretërisë së Bashkuar, vendim i 28 majit 1985, seria A nr. 94, f. 34, § 67, Boujlifa k. Francës, vendim i 21 tetorit 1997, Recueil des arrêts et décisions 1997‑VI, f. 2264, § 42). Konventa nuk e garanton të drejtën për një të huaj që të hyjë ose të qëndrojë në një vend të veçantë dhe, kur marrin përsipër misionin e tyre për ruajtje të rendit publik, shtetet kontraktuese e kanë kompetencën për të dëbuar një të huaj keqbërës. Megjithatë, vendimet e tyre në këtë fushë, përderisa cenojnë një të drejtë të mbrojtur nga paragrafi 1 i nenit 8, duhet të kenë një bazë ligjore dhe të dalin të domosdoshme në një shoqëri demokratike, domethënë të përligjura nga një nevojë e ngutshme shoqërore dhe, sidomos, në përpjesëtim me qëllimin e drejtë të ndjekur (Dalia k. Francës, vendim i 19 shkurtit 1998, Recueil 1998-I, f. 91, § 52, Mehemi k. Francës, vendim i 26 shtatorit 1997, Recueil 1997-VI, f. 1971, § 34, Boultif k. Zvicrës, i cituar më lart, § 46, dhe Slivenko k. Letonisë [DhM], nr. 48321/99, GjEDNj 2003-X, § 113).
55. Gjykata është e mendimit se këto parime zbatohen pavarësisht nga çështja nëse një i huaj ka hyrë në vendin pritës në moshën madhore a në një moshë shumë të re apo edhe nëse ka lindur atje. Ajo i referohet rreth kësaj pike Rekomandimit 1504 (2001) për mosdëbimin e imigrantëve afatgjatë, në të cilin Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës rekomandonte që Komiteti i Ministrave t’i ftojë shtetet anëtare që, ndër të tjera, të garantojnë që imigrantët afatgjatë të lindur ose të rritur në vendin pritës të mos mund të dëbohen në asnjë rast (paragrafi 37 i mësipërm). Ndonëse një numër shtetesh kontraktuese kanë miratuar ligje ose rregullore të cilat parashikojnë se imigrantët afatgjatë të lindur në territorin e tyre ose të mbërritur në territorin e tyre në moshë të re nuk mund të dëbohen mbi bazën e çështjeve të tyre të mëparshme gjyqësore (paragrafi 39 i mësipërm), një e drejtë kaq e pakufizuar për mosdëbim nuk mund të ketë rrjedhur nga neni 8 i Konventës, paragrafi 2 i të cilës është i formuluar me fjalë që lejojnë qartazi përjashtime nga të drejtat e përgjithshme të garantuara në paragrafin 1.
(...)
57. Edhe pse, në këto kushte, neni 8 i Konventës nuk i jep asnjëfarë kategorie të huajsh ndonjë të drejtë të pakufizuar për mosdëbim, jurisprudenca e Gjykatës tregon gjerësisht se ka edhe rrethana në të cilat dëbimi i një të huaji përmban shkelje të kësaj dispozite (shih, për shembull, vendimet Moustaquim k. Belgjikës, Beldjoudi k. Francës dhe Boultif k. Zvicrës, të cituar më lart; shih gjithashtu Amrollahi k. Danimarkës, nr. 56811/00, 11 korrik 2002, Yılmaz k. Gjermanisë, nr. 52853/99, 17 prill 2003, dhe Keles k. Gjermanisë, nr. 32231/02, 27 tetor 2005). Në çështjen Boultif të cituar më lart, Gjykata i ka përmendur një për një kriteret që duhet të përdoren për vlerësimin e çështjes nëse një masë dëbimi ishte apo jo e domosdoshme në një shoqëri demokratike dhe në përpjesëtim me qëllimin e drejtë të ndjekur. Këto kritere, të cilat ndodhen të përsëritura në paragrafin 40 të vendimit të dhomës, janë si më poshtë:
– natyra dhe serioziteti i shkeljes së kryer nga paditësi;
– kohëzgjatja e qëndrimit të të interesuarit në vendin nga i cili është dëbuar;
– koha që ka kaluar që prej shkeljes dhe sjellja e paditësit gjatë kësaj periudhe;
– kombësia e personave të ndryshëm në fjalë;
– situata familjare e ankuesit e, sidomos, nëse është rasti, kohëzgjatja e martesës së tij, si edhe faktorë të tjerë që dëshmojnë për vërtetësinë e një jete familjare në gjirin e një çifti;
– çështja nëse bashkëshorti/-ja kishte apo jo dijeni për shkeljen në kohën e krijimit të marrëdhënies familjare;
– çështja nëse nga martesa kanë dalë fëmijë e, në këtë rast, mosha e tyre; dhe
– serioziteti i vështirësive që rrezikon të hasë bashkëshorti/-ja në vendin drejt të cilit duhet dëbuar ankuesi.
58. Gjykata dëshiron të sqarojë dy kritere të cilët ndodhen mbase të nënkuptuar tashmë brenda atyre që janë identifikuar në vendimin Boultif:
– interesi dhe mirëqenia e fëmijëve, sidomos serioziteti i vështirësive që fëmijët e ankuesit mund të hasin në vendin drejt të cilit duhet të dëbohet i interesuari; dhe
– qëndrueshmëria e lidhjeve shoqërore, kulturore e familjare me vendin pritës dhe me vendin e caktuar për të shkuar.
Për sa i përket pikës së parë, Gjykata shënon se ajo pasqyrohet tashmë në jurisprudencën e saj aktuale (shih, për shembull, Şen k. Vendeve të Ulëta, nr. 31465/96, § 40, 21 dhjetor 2001, Tuquabo-Tekle me të tjerë k. Vendeve të Ulëta, nr. 60665/00, § 47, 1 dhjetor 2005) dhe përputhet me Rekomandimin e Komitetit të Ministrave Rec(2002)4 rreth statusit juridik të personave të pranuar për ribashkim familjar (paragrafi 38 i mësipërm).
Për sa i takon pikës së dytë, është e udhës të theksohet se, në qoftë se ankuesi në çështjen Boultif ishte tanimë në moshë madhore kur mbërriti në Zvicër, Gjykata ka gjykuar se “kriteret Boultif” gjejnë aq më tepër zbatim në rastet kur ankuesit kanë lindur në vendin pritës ose kanë mbërritur atje në një moshë të re (shih Mokrani k. Francës, nr. 52206/99, § 31, 15 korrik 2003). Në fakt, arsyeja e heshtur e vendimit për ta kthyer kohëzgjatjen e qëndrimit të një personi në vendin pritës në një nga elementet për t’u marrë në konsideratë qëndron në hamendësimin se sa më gjatë të rrijë një person në një vend të veçantë, aq më të fuqishme janë lidhjet e tij me atë vend e aq më të dobëta janë lidhjet e tij me vendin nga e ka prejardhjen. Nën dritën e këtyre konsideratave, është afërmendsh që Gjykata do ta marrë parasysh situatën e veçantë të të huajve të cilët e kanë kaluar pjesën më të madhe në mos tërë fëmijërinë e tyre në vendin pritës, që janë rritur e janë edukuar atje.”
69. Në vendimin Üner, ashtu si edhe në vendimin Boultif të cituar më lart (§ 48), Gjykata është kujdesur të caktojë ato kritere – të nënkuptuara në jurisprudencën e saj të mëparshme – të cilët duhet të zbatohen për të vlerësuar domosdoshmërinë, në një shoqëri demokratike, për një masë dëbimi dhe karakterin e saj në përpjesëtim me qëllimin e drejtë të ndjekur.
70. Gjykata thekson se, ndonëse kriteret e dala nga jurisprudenca e saj dhe të paraqitura në vendimet Boultif dhe Üner synojnë të lehtësojnë zbatimin e nenit 8 nga ana e juridiksioneve të brendshme në çështjet e dëbimit, pesha e tyre përkatëse ndryshon në mënyrë të pashmangshme në varësi të rrethanave të veçanta të secilës çështje. Përveç kësaj, është e udhës të mos harrohet se, kur, ashtu si në çështjen në fjalë, ndërhyrja në ushtrimin nga ana e paditësit e të drejtave të mbrojtura nga neni 8 ndjek qëllimin e drejtë të mbrojtjes së rendit dhe të parandalimit të veprave penale (paragrafi 67 i mësipërm), kriteret e lartpërmendura duhet tekefundit të ndihmojnë për të vlerësuar se në çfarë mase ankuesi rrezikon të shkaktojë turbullira apo të kryejë veprime kriminale.
71. Kur, ashtu si në këtë rast, personi që duhet dëbuar është një i ri në moshë madhore i cili nuk e ka themeluar ende familjen e vet, kriteret e rëndësishme për çështjen janë si më poshtë:
– natyra dhe serioziteti i shkeljes së kryer nga ankuesi;
– kohëzgjatja e qëndrimit të të interesuarit në vendin nga i cili ai duhet dëbuar;
– koha që ka kaluar që prej shkeljes dhe sjellja e ankuesit gjatë kësaj periudhe;
– qëndrueshmëria e lidhjeve shoqërore, kulturore dhe familjare me vendin pritës dhe me vendin ku është caktuar të shkojë.
72. Gjykata dëshiron gjithashtu të saktësojë se mosha e personit në fjalë mund të luajë njëfarë roli në zbatimin e disa prej kritereve të lartpërmendura. Për shembull, për të vlerësuar natyrën dhe seriozitetin e shkeljes së bërë nga një ankues, është e udhës të shqyrtohet nëse ai e ka kryer atë në kohën kur ka qenë adoleshent apo në moshën madhore (shih, për shembull Moustaquim k. Belgjikës, vendim i 18 shkurtit 1991, seria A nr. 193, f. 19, § 44, dhe Radovanovic k. Austrisë, nr. 42703/98, § 35, 22 prill 2004).
73. Nga ana tjetër, kur shqyrtohet kohëzgjatja e qëndrimit të ankuesit në vendin nga i cili ai duhet dëbuar dhe qëndrueshmëria e lidhjeve të tij shoqërore, kulturore e familjare me vendin pritës, situata nuk është natyrisht e njëjta nëse personi në fjalë ka mbërritur në atë vend që në fëmijërinë a në rininë e tij, madje ka lindur atje, apo nëse ai ka ardhur aty vetëm në moshën madhore. Ky diferencim shfaqet gjithashtu në instrumentet e ndryshme të Këshillit të Evropës, sidomos në rekomandimet Rec(2001)15 e Rec(2002)4 të Komitetit të Ministrave (paragrafët 34-35 të mësipërm).
74. Edhe pse neni 8 nuk i jep asnjëfarë kategorie të huajsh, duke përfshirë këtu edhe ata që kanë lindur në vendin pritës apo që kanë mbërritur atje në një moshë të re, ndonjë të drejtë të pakufizuar për mosdëbim (Üner, i cituar më lart, § 57), Gjykata ka vlerësuar tashmë se duhej pasur parasysh situata e posaçme e të huajve që e kanë kaluar pjesën më të madhe të fëmijërisë, në mos të tërë fëmijërinë, në vendin pritës, që janë rritur atje dhe kanë marrë atje edukimin e tyre (Üner, i cituar më lart, § 58 in fine).
75. Duke e përmbledhur me pak fjalë, Gjykata konsideron se, kur është fjala për një imigrant afatgjatë i cili e ka kaluar fëmijërinë dhe rininë e tij në pjesën më të madhe, në mos tërësisht, në vendin pritës, është e udhës që të paraqiten arsye shumë të forta për të përligjur dëbimin e tij, sidomos kur personi në fjalë i ka kryer veprat penale që janë në zanafillë të masës së dëbimit gjatë adoleshencës së tij.
76. Së fundi, Gjykata kujton se autoritetet kombëtare gëzojnë njëfarë hapësire vlerësimi për t’u shprehur rreth domosdoshmërisë, në një shoqëri demokratike, për një ndërhyrje në ushtrimin e një të drejte të mbrojtur nga neni 8 dhe rreth përpjesëtueshmërisë së masës në fjalë me qëllimin e drejtë të ndjekur (Slivenko k. Letonisë [DhM], nr. 48321/99, § 113, GjEDNj 2003-X, dhe Berrehab k. Vendeve të Ulëta, vendim i 21 qershorit 1988, seria A nr. 138, f. 15, § 28). Megjithatë, sipas jurisprudencës së vazhdueshme të Gjykatës, detyra e kësaj të fundit është që të përcaktojë nëse masat e kundërshtuara e kanë respektuar ose jo njëfarë baraspeshimi të drejtë midis interesave të pranishme, domethënë, nga njëra anë, të drejtave të të interesuarit të mbrojtura nga Konventa dhe, nga ana tjetër, interesave të shoqërisë (shih, ndër shumë të tjerë, Boultif, i cituar më lart, § 47). Kjo hapësirë vlerësimi shkon paralelisht me një kontroll evropian që ushtrohet njëherazi mbi ligjin dhe mbi vendimet që e zbatojnë atë, edhe kur ato nxirren prej një juridiksioni të pavarur (shih, mutatis mutandis, Shoqëria Colas Est me të tjerë k. Francës, nr. 37971/97, § 47, GjEDNj 2002-III). Gjykata ka pra kompetencë për të vendosur në shkallë të fundit rreth pikës nëse një masë dëbimi pajtohet ose jo me nenin 8.
b) Zbatimi i parimeve të lartpërmendura në rastin e çështjes në fjalë
i. Natyra dhe serioziteti i veprave penale të kryera nga paditësi
77. Gjykata vë re se paditësi i ka kryer veprat penale në fjalë gjatë një periudhe prej një viti e tre muajsh, konkretisht mes nëntorit 1998 dhe janarit 2000 (paragrafët 14 e 15 të mësipërm), në kohën kur ai ishte midis katërmbëdhjetë e pesëmbëdhjetë vjeç.
78. Në shtator 1999, i interesuari u gjet fajtor herën e parë për njëzet e dy akuza për vjedhje me thyerje në rrethana rënduese të kryera në grup dhe për tentativa vjedhjeje me thyerje në rrethana rënduese të kryera në grup, për krijim të një bande, për shantazh, për përdorim dhune dhe për përdorim të paautorizuar të një automjeti. Ai u dënua me tetëmbëdhjetë muaj burgim, nga të cilët trembëdhjetë të shoqëruar me kusht me vënie në provë. Përveç kësaj, ai u detyrua të ndjekë një kurë dezintoksikimi për toksikomani.
79. Herën e dytë, në maj 2000, paditësi u gjet fajtor për tetëmbëdhjetë akuza vjedhjeje me thyerje në rrethana rënduese apo për tentativa vjedhjeje me thyerje në rrethana rënduese dhe mori një dënim me pesëmbëdhjetë muaj burgim. Meqenëse ai nuk kishte ndjekur kurë dezintoksikimi, gjykata e tërhoqi kushtin me të cilin ishte shoqëruar dënimi i parë.
80. Bashkë me dhomën, Dhoma e Madhe çmon se veprat penale të kryera nga paditësi paraqisnin njëfarë serioziteti dhe se ky është ndëshkuar me dënime të rënda, konkretisht me një qëndrim në burg prej dy vjetësh e nëntë muajsh, si përfundim. Sipas Qeverisë, këto vepra penale duhet të shihen sikur paraqesin të njëjtën shkallë serioziteti si veprat penale në legjislacionin për lëndët narkotike, meqenëse paditësi, toksikoman, i ka kryer ato për të financuar konsumin e tij të lëndëve narkotike. Gjykata nuk e ndan këtë pikëpamje me të. Është e vërtetë që, lidhur me trafikimin e lëndëve narkotike, ajo e kupton që autoritetet kombëtare të tregojnë vendosmëri ndaj atyre që japin ndihmesë për përhapjen e kësaj gjëme (shih, për shembull, Dalia k. Francës, vendim i 19 shkurtit 1998, Recueil 1998-I, f. 92, § 54, dhe Baghli k. Francës, nr. 34374/97, § 48, GjEDNj 1999-VIII). Megjithatë, ajo nuk ka të njëjtën qasje për sa u përket personave të dënuar për konsumim lëndësh narkotike (Ezzouhdi, i cituar më lart, § 34).
81. Sipas mendimit të Gjykatës, aspekti përcaktues në këtë rast është mosha e re në të cilën paditësi i ka kryer këto vepra penale dhe karakteri i tyre jo i dhunshëm, veç me ndonjë përjashtim. Ky aspekt e dallon gjithashtu qartazi rastin e çështjes në fjalë nga çështjet Boultif dhe Üner (të cituara më lart), ku në zanafillë të masave të dëbimit qenë veprat penale me dhunë – vjedhje në të parën dhe vrasje pa dashje e ushtrim dhune të kryera nga një i rritur në të dytën. Pasi shqyrtoi sjelljen për të cilën është dënuar paditësi, Gjykata vë re se shumica e veprave penale kishin të bënin me vjedhje me thyerje shpërndarësish automatikë, automjetesh, dyqanesh e restorantesh, si edhe vjedhje të hollash e mallrash. Paditësi është bërë fajtor për të vetmen vepër penale me dhunë në gjykim kur ka shtyrë një djalë tjetër dhe e ka goditur me shkelma, duke i shkaktuar kështu kontuzione. Pa i nënvleftësuar seriozitetin e këtyre veprimeve dhe dëmet e shkaktuara në këtë mënyrë, Gjykata vlerëson se ato mund të shihen megjithatë si veprime prapësie të rinjsh.
82. Për Gjykatën, kur në zanafillë të një ndalimi qëndrimi janë veprat penale të kryera nga një i mitur, është e udhës të merret parasysh interesi më i lartë i fëmijës. Jurisprudenca e Gjykatës lidhur me nenin 8 e përmend këtë detyrim në kontekste të ndryshme (shih, për shembull, në fushën e mbrojtjes së fëmijërisë, Scozzari e Giunta k. Italisë [DhM], nr. 39221/98 dhe 41963/98, § 148, GjEDNj 2000‑VIII), duke përfshirë këtu dëbimin e të huajve (Üner, i cituar më lart, § 58). Në çështjen Üner, Gjykatës i kërkohej të shqyrtonte situatën e fëmijëve në cilësinë e anëtarëve të familjes së personit që duhej dëbuar. Ajo theksoi se interesi më i lartë dhe mirëqenia e fëmijëve të paditësit, sidomos serioziteti i vështirësive që këta fëmijë rrezikonin të ndeshnin në vendin drejt të cilit duhej dëbuar i interesuari, përbënin një kriter vlerësimi të domosdoshmërisë, në një shoqëri demokratike, për një masë dëbimi. Gjykata vlerëson se detyrimi për të mbajtur parasysh interesin më të lartë të fëmijës zbatohet gjithashtu edhe kur personi që duhet të dëbohet është vetë i mitur apo kur – si në çështjen në fjalë – dëbimi është i motivuar për vepra penale që i interesuari i ka kryer në kohën kur ishte i mitur. Me këtë rast, Gjykata vëren se e drejta komunitare u ofron gjithashtu të miturve një mbrojtje të veçantë kundër dëbimit (paragrafi 41 i mësipërm, neni 28 § 3 b) i direktivës 2004/38/CE). Përveç kësaj, detyrimi për të marrë parasysh interesin më të lartë të fëmijës gjendet i sanksionuar në nenin 3 të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës (paragrafi 36 i mësipërm).
83. Për sa i përket dëbimit të një keqbërësi në moshë të re, Gjykata vlerëson se detyrimi për të marrë parasysh interesin më të lartë të fëmijës kërkon gjithashtu që t’i krijohet lehtësi riintegrimit të këtij të fundit. Për këtë qëllim, ajo shënon se neni 40 i Konventës për të Drejtat e Fëmijës e kthen riintegrimin në një qëllim të drejtësisë për të mitur (paragrafët 36-38 të mësipërm). Për mendimin e Gjykatës, ky qëllim nuk mund të arrihet në qoftë se lidhjet familjare e shoqërore këputen përmes dëbimit, i cili duhet të mbetet një masë e shkallës së fundit në rastin e një keqbërësi në moshë rinore. Sipas përshtypjes së saj, autoritetet austriake nuk u kanë kushtuar vëmendje të mjaftueshme këtyre aspekteve.
84. Si përmbledhje, Gjykata vlerëson se dëbimi i një imigranti afatgjatë për arsye të veprave penale më së shumti jo të dhunshme të kryera kur ai ishte i mitur nuk mund të përligjet aspak (Moustaquim, i cituar më lart, § 44, lidhur me një paditës të dënuar për vepra penale të kryera gjatë adoleshencës, konkretisht për disa akuza për vjedhje të cilësuar, një akuzë për mbajtje sendesh të vjedhura dhe një për shkatërrim të një automjeti, dy akuza për ushtrim dhune dhe një për kanosje, si edhe Jakupovic k. Austrisë, nr. 36757/97, § 27, 6 shkurt 2003, çështje në të cilën ndalimi i qëndrimit ishte motivuar me dy dënime për vjedhje të kryera nga paditësi në kohën kur ai ishte i mitur e në të cilën, për më tepër, i interesuari ishte ende i mitur në çastin e dëbimit të tij).
85. Anasjelltas, Gjykata e ka saktësuar mirë se disa vepra penale me karakter shumë të dhunshëm mund ta përligjin një dëbim, edhe kur ato janë kryer nga një i mitur (Bouchelkia, i cituar më lart, f. 65, § 51, çështje në të cilën Gjykata nuk doli në përfundimin se kishte shkelje të nenit 8 për arsye se vendimi i dëbimit ishte lëshuar kundër paditësit pas dënimit të tij për kryerje marrëdhëniesh seksuale me dhunë të kryer në moshën shtatëmbëdhjetë vjeç; në vendimet Hizir Kilic k. Danimarkës, nr. 20277/05, dhe Ferhat Kilic k. Danimarkës, nr. 20730/05, të 22 janarit 2007, Gjykata i ka deklaruar të papranueshme ankesat e paditësve lidhur me vendimet e dëbimit të marra ndaj tyre si pasojë e dënimit të tyre për tentativë vjedhjeje, ushtrim të rëndë dhune dhe vrasje të pavullnetshme, vepra të kryera përkatësisht në moshën gjashtëmbëdhjetë ë shtatëmbëdhjetë vjeç.
ii. Kohëzgjatja e qëndrimi të paditësit
86. I mbërritur në Austri më 1990, në moshën gjashtë vjeç, paditësi e ka kaluar në këtë vend pjesën tjetër të fëmijërisë e të adoleshencës së tij. Ai qëndroi atje në mënyrë të ligjshme së bashku me prindërit, vëllanë dhe motrën e tij dhe fitoi një leje të përhershme qëndrimi në mars 1999.
iii. Koha që ka kaluar nga veprat penale dhe sjellja e paditësit gjatë kësaj periudhe
87. Siç është shënuar më lart, paditësi nuk ka kryer vepra të tjera penale pas janarit 2000. Kur shqyrtoi sjelljen e të interesuarit që nga koha e veprave penale, dhoma mori parasysh periudhën që shkonte deri te dëbimi në dhjetor 2003. Ajo i kushtoi rëndësi periudhës gjatë së cilës i interesuari është sjellë mirë, pas daljes së tij nga burgu në maj 2002, duke vërejtur se ai nuk kishte kryer asnjë vepër tjetër penale gjatë tetëmbëdhjetë muajve që i paraprinë dëbimit të tij.
88. Qeveria është e mendimit se dhoma nuk duhej të kishte marrë parasysh fakte të ndodhura pas vendimit të brendshëm të formës së prerë (paragrafët 58-59 e mësipërm). Ajo argumenton se Gjykata Administrative e ka dhënë vendimin e saj para daljes së paditësit nga burgu. Gjithsesi, edhe Gjykatës Administrative, edhe Gjykatës Kushtetuese do t’u duhej ta merrnin vendimin e tyre mbi bazën e fakteve të përcaktuara nga autoriteti administrativ i shkallës së fundit, në rastin e çështjes në fjalë, vendimi i 19 korrikut 2001 i Drejtorisë së Sigurimit Publik të Vjenës.
89. Gjykata shënon se vendimi Boultif (i cituar më lart, § 51) tregon si kriter që duhet përdorur “kohën që ka kaluar që prej vepr-ës/-ave penale dhe sjelljen e paditësit gjatë kësaj periudhe”. Në atë çështje, Gjykata kishte marrë parasysh të gjithë periudhën që kishte kaluar që nga kryerja e veprave penale më 1994 deri te largimi i të interesuarit nga Zvicra në vitin 2000, duke konsideruar se sjellja shembullore e ankuesit në burg dhe punësimi i tij i mëpasshëm i zbusnin druajtjet se mos ai përbënte në të ardhmen një rrezik për rendin publik e sigurinë publike. Gjithsesi, nga faktet e asaj çështjeje nuk dilte saktësisht se çfarë afati kishte kaluar ndërmjet vendimit të brendshëm të formës së prerë, të dhënë nga Gjykata Federale zvicerane në nëntor 1999 dhe largimit të ankuesit “në një datë të papërcaktuar në vitin 2000” (po aty, §§ 19 e 22). Në një çështje të mëvonshme, në të cilën vendimin e Gjykatës Administrative austriake, të dhjetorit 1996, e kishin ndarë shtatë muaj nga largimi i ankuesit në korrik 1997, Gjykata mori parasysh sjelljen e mirë që kishte dëshmuar ky i fundit pas dënimit të tij të fundit në prill 1994 deri në përfundimin e procedurës në dhjetor 1996 (Yildiz, i cituar më lart, §§ 24-26 dhe 45).
90. Po të ndiqet qasja e përdorur në vendimin Boultif (i cituar më lart, § 51), fakti që ka rrjedhur një periudhë e gjatë sjelljeje të mirë midis kryerjes së veprave penale dhe dëbimit të personit në fjalë ndikon domosdo në vlerësimin e rrezikut që përfaqëson ky person për shoqërinë.
91. Në këtë vështrim, nuk duhet harruar asnjëherë se, sipas jurisprudencës së vazhdueshme të Gjykatës rreth nenit 3, kur një dëbim ndodh më parë sesa Gjykata të ketë dhënë vendimin e saj, rreziku që i kanoset ankuesit në vendin drejt të cilit ai është dëbuar duhet të vlerësohet në varësi të rrethanave për të cilat shteti kontraktues kishte dijeni ose ishte dashur të kishte dijeni në çastin e dëbimit. Në çështjet ku ankuesi nuk është dëbuar ende gjatë shqyrtimit të çështjes nga Gjykata, periudha që duhet marrë parasysh është ajo e procedurës para Gjykatës (Saadi k. Italisë [DhM], nr. 37201/06, § 133, 28 shkurt 2008). Në këtë lloj çështjesh, Gjykata nuk kufizohet pra me analizën e situatës në datën e shpalljes së vendimit të brendshëm të formës së prerë që urdhëron dëbimin.
92. Gjykata nuk bindet nga argumenti që Qeveria nxjerr nga neni 35 § 1 i Konventës e sipas të cilit nuk duhet të merren parasysh ngjarjet e ndodhura pas vendimit të brendshëm të formës së prerë. Sigurisht, detyrimi për t’i shteruar rrugët e brendshme për rekurs synon të sigurojë që shtetet të mos jenë të detyruara të përgjigjen për aktet e tyre para një organizmi ndërkombëtar para se të kenë pasur mundësinë për ta ndrequr situatën brendapërbrenda rendit të tyre të brendshëm juridik (Akdivar e të tjerë k. Turqisë, vendim i 16 shtatorit 1996, Recueil 1996-IV, f. 1210, § 65). Gjithsesi, në çështjet e dëbimit, një pyetje e tillë shtrohet vetëm në rastin kur ka kaluar një afat i gjatë midis vendimit përfundimtar që urdhëron ndalimin e qëndrimit dhe dëbimit efektiv.
93. Në këtë vështrim, Gjykata thekson se ajo e ka për detyrë të vlerësojë sa përputhet me Konventën dëbimi efektiv i paditësit e jo vendimi i formës së prerë për dëbim. Me sa duket, kjo ka qenë gjithashtu, mutatis mutandis, edhe qasja e zbatuar nga Gjykata e Drejtësisë e Komuniteteve Evropiane, e cila, në vendimin e saj Orfanopoulos e Oliveri, ka thënë se neni 3 i Direktivës 64/221 i kundërvihet asaj praktike kombëtare sipas së cilës, për të verifikuar ligjshmërinë e dëbimit të shtetasit të një shteti tjetër anëtar, juridiksionet kombëtare nuk i marrin në konsideratë disa elemente faktike të ndodhura pas vendimit të fundit të autoriteteve kompetente (paragrafi 43 i mësipërm). Për pasojë, në çështje të tilla, i takon shtetit që ta organizojë sistemin e vet në mënyrë të tillë që të mundë të marrë parasysh fakte të reja. Kjo qasje nuk është në mospajtim me vlerësimin e ekzistencës së një “jete familjare” në çastin kur ndalimi i qëndrimit bëhet i formës së prerë, në mungesë të çdo elementi që tregon se “jeta familjare” e ankuesit ka pushuar pas kësaj date (paragrafi 61 i mësipërm). Edhe sikur të ndodhte kështu, ankuesi e ka gjithmonë mundësinë të kërkojë mbrojtjen e të drejtës së tij për t’iu respektuar “jeta private” në kuptimin e nenit 8 (paragrafi 63 i mësipërm).
94. Qeveria sinjalizon lidhur me këtë se, qoftë me kërkesën e ankuesit, qoftë me nismën e autoriteteve, është e mundur të niset një procedurë që lejon të kontrollohet nëse vazhdojnë ende kushtet që e përligjin një ndalim qëndrimi.
95. Për rrjedhojë, Gjykata do ta marrë parasysh sjelljen e paditësit që prej çastit kur ai ka kryer veprën e tij të fundit penale, në janar 2000, deri në dëbimin e tij efektiv, në dhjetor 2003. Nga kjo periudhë prej afro tre vjetësh e njëmbëdhjetë muajsh, i interesuari ka kaluar në burg dy vjet e tre muaj e gjysmë, prej 11 shkurtit 2000 deri më 24 maj 2002. Pas lirimit të tij e deri më 27 nëntor 2003, datë kur ai është ndaluar me qëllim për t’u dëbuar, ai ka qëndruar ende një vit e gjysmë në Austri pa kryer vepra të reja penale. Gjithsesi, në ndryshim me rastin e çështjes Boultif (vendim i cituar më lart, § 51), Gjykata nuk ka shumë dijeni për sjelljen e paditësit në burg – me përjashtim të faktit se ai nuk ka përfituar lirim të parakohshëm – e ajo ka edhe më pak dijeni se deri në çfarë mase është stabilizuar situata e tij pas daljes nga burgu. Prandaj, ndryshe nga dhoma, ajo vlerëson se “koha e kaluar që prej veprave penale dhe sjellja e paditësit gjatë kësaj periudhe” kanë më pak rëndësi në krahasim me kriteret e tjera, sidomos me faktin që paditësi ka kryer më së shumti vepra penale me karakter jo të dhunshëm e ndërsa ishte i mitur.
iv. Qëndrueshmëria e lidhjeve shoqërore, kulturore e familjare me vendin pritës dhe me vendin e prejardhjes
96. Gjykata vë re se paditësi i ka kaluar vitet e formimit të fëmijërisë dhe të rinisë së tij në Austri. Ai flet gjuhën gjermane dhe e ka marrë të gjithë arsimimin e tij në Austri, ku jetojnë të gjithë të afërmit e tij. Lidhjet e tij kryesore shoqërore, kulturore dhe familjare ai i ka pra në këtë vend.
97. Për sa u takon lidhjeve të të interesuarit me vendin nga e ka prejardhjen, Gjykata vëren që ai e ka shpjeguar në mënyrë bindëse se, në çastin e dëbimit të tij, ai nuk e fliste gjuhën bullgare, meqenëse familja e tij i përkiste bashkësisë turke në Bullgari. Paditësi as e lexonte, as e shkruante shkrimin cirilik, çka nuk është kundërshtuar, përderisa ai nuk është shkolluar kurrë në Bullgari. Gjithashtu nuk është provuar, madje as është përmendur fare, që ai të kishte lidhje të tjera të ngushta me vendin nga e ka prejardhjen.
v. Kohëzgjatja e ndalimit të qëndrimit
98. Së fundi, për të vlerësuar përpjesëtueshmërinë e ndërhyrjes, Gjykata merr parasysh kohëzgjatjen e ndalimit të qëndrimit. Duke iu referuar jurisprudencës së Gjykatës, dhoma ka theksuar me të drejtë se kohëzgjatja e një mase ndalimi qëndrimi duhet parë si një ndër faktorët (lidhur me çështjet ku kohëzgjatja e pakufizuar e një ndalimi qëndrimi ka shërbyer në favor të përfundimit sipas të cilit masa ishte e shpërpjesëtuar, shih Ezzouhdi, i cituar më lart, § 35, Yilmaz k. Gjermanisë, nr. 52853/99, §§ 48-49, 17 prill 2003, dhe Radovanovic, i cituar më lart, § 37; lidhur me çështjet ku kohëzgjatja e kufizuar e një ndalimi qëndrimi ka shërbyer në favor të përfundimit sipas të cilit masa ishte e përpjesëtuar, shih Benhebba, i cituar më lart, § 37, Jankov k. Gjermanisë (vend. pran.), nr. 35112/92, 13 janar 2000, dhe Üner, i cituar më lart, § 65).
99. Dhoma e Madhe është e të njëjtit mendim me dhomën, sipas të cilit kohëzgjatja e kufizuar e ndalimit të qëndrimit nuk është vendimtare në rastin e çështjes në fjalë. Duke parë moshën e tij të re, dhjetë vjet ndalim qëndrimi përfaqësojnë pothuajse po aq kohë sa paditësi ka jetuar në Austri, ndërkohë që ai ndodhet në një periudhë përcaktuese të jetës së tij.
vi. Përfundim
100. Duke pasur parasysh çka paraprin, sidomos karakterin jo të dhunshëm – veç me ndonjë përjashtim – të veprave penale të kryera nga paditësi ndërsa ai ishte i mitur dhe detyrimin e shtetit për ta lehtësuar riintegrimin e të interesuarit në shoqëri, kohëzgjatjen gjatë së cilës paditësi ka qëndruar në mënyrë të ligjshme në Austri, lidhjet e tij familjare, shoqërore e gjuhësore me Austrinë dhe mungesën e lidhjeve të provuara me vendin e prejardhjes, Gjykata vlerëson se detyrimi i ndalimit të qëndrimit, edhe për një periudhë kohe të kufizuar, ishte në shpërpjesëtim me qëllimin e drejtë të ndjekur, konkretisht “mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e veprave penale”. Prandaj, kjo masë nuk ishte “e domosdoshme në një shoqëri demokratike”.
101. Për rrjedhojë, ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës.
II. RRETH ZBATIMIT TË NENIT 41 TË KONVENTËS
102. Sipas nenit 41 të Konventës,
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmi
1. Vendimi i dhomës
103. Dhoma ka marrë parasysh çështje të krahasueshme (Yildiz, i cituar më lart, § 51, Jakupovic, i cituar më lart, § 37, Radovanovic k. Austrisë (shpërblim i drejtë), nr. 42703/98, § 11, 16 dhjetor 2004, dhe Mehemi, i cituar më lart, § 41) dhe ka thënë se konstatimi i një shkeljeje përbënte në vetvete një shpërblim të drejtë të mjaftueshëm për dëmin moral që mund të ketë pësuar paditësi.
2. Vërejtjet e palëve
104. Paditësi i përmbahet kërkesës së tij për 5 000 euro (EUR) për dëmin moral që ai thotë se ka vuajtur për shkak të largimit prej familjes së tij.
105. Për Qeverinë, konstatimi i një shkeljeje do të përbënte në vetvete një shpërblim të drejtë të mjaftueshëm.
3. Vendimi i Gjykatës
106. Gjykata vlerëson se paditësi duhet të ketë ndier dëshpërim e ankth si pasojë e dëbimit të tij. Duke vendosur me paanësi, ajo i cakton atij 3 000 EUR për dëm moral (Mokrani, i cituar më lart, § 43), plus çdo shumë që mund të duhet si vlerë tatimi.
B. Kosto dhe shpenzime
1. Vendimi i dhomës
107. Dhoma i ka caktuar paditësit 5 759,96 EUR, duke përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSh), për kostot dhe shpenzimet e bëra në kuadër të procedurës së brendshme dhe në procedurën e ndjekur për sa parashikon Konventa deri në shpalljen e vendimit të saj. Kjo shumë nëndahej kështu: 3 797,96 EUR për procedurën e brendshme dhe 1 962 EUR për procedurën para Gjykatës.
2. Vërejtjet e palëve
108. Para Dhomës së Madhe, paditësi i përmbahet pretendimeve të tij lidhur me procedurën e brendshme. Për sa i takon procedurës së ndjekur për sa parashikon Konventa, ai kërkon një shumë të përgjithshme prej 12 190,56 EUR, me TVSh të përfshirë, nga e cila 6 879,84 EUR, me TVSh të përfshirë, për procedurën para Dhomës së Madhe. Përveç kësaj, ai kërkon t’i jepen 457,26 EUR për shpenzimet e udhëtimit e të qëndrimit që lidhen me pjesëmarrjen e avokatit të tij në seancë.
109. Qeveria shënon se shpenzimet e bëra deri në përfundimin e procedurës para dhomës, apo 5 759,96 EUR, janë pranuar prej saj dhe se ajo i ka dhënë ato tërësisht. Ajo nuk formulon asnjë vërejtje rreth shpenzimeve të kryera në kuadrin e procedurës para Dhomës së Madhe.
3. Vendimi i Gjykatës
110. Për sa u përket kostove dhe shpenzimeve të paguara në kuadër të procedurës së brendshme dhe procedurës së ndjekur për sa parashikon Konventa deri në vendimin e dhomës, Dhoma e Madhe vlerëson, duke ndjekur shembullin e dhomës, se ato janë kryer realisht, se ato përkonin me një domosdoshmëri e se ishin të arsyeshme për sa i takon shumës së tyre, dhe ajo ripohon pra dhënien e 5 759,96 EUR. Sa për kostot dhe shpenzimet që lidhen me procedurën para saj, Dhoma e Madhe vlerëson gjithashtu se ato janë kryer realisht, se ato përkonin me një domosdoshmëri e se ishin të arsyeshme për sa i takon shumës së tyre. Ajo cakton pra shumën e kërkuar, pra 6 879,84 EUR, me TVSh të përfshirë, plus 457,26 EUR për shpenzime udhëtimi e qëndrimi, çka përfaqëson një shumë të përgjithshme prej 7 337,10 EUR.
111. Për rrjedhojë, Gjykata i jep paditësit shumën e përgjithshme prej 13 097,06 EUR për kosto dhe shpenzime.
C. Kamatëvonesat
112. Gjykata e gjykon si të përshtatshme që ta bazojë përqindjen e kamatëvonesave te përqindja e interesit të huas afatshkurtër të Bankës Qendrore Evropiane, të rritur me tri pikë përqindjeje.
ME KËTO MOTIVE, GJYKATA
1. Thotë, me gjashtë vota në favor e një kundër, se ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës;
2. Thotë, me gjashtë vota në favor e një kundër,
a) se shteti i paditur duhet t’i derdhë paditësit, brenda një afati prej tre muajsh, 3 000 EUR (tre mijë euro) për dëm moral, plus çdo shumë që mund të duhet si vlerë tatimi, dhe 13 097,06 EUR (trembëdhjetë mijë e nëntëdhjetë e shtatë euro e gjashtë cent) për shpenzime, plus çdo shumë që mund të duhet si vlerë tatimi për paditësin;
b) se, duke nisur nga përfundimi i afatit të lartpërmendur e deri në derdhjen e tyre, këto shuma do të shtohen me një interes të thjeshtë në përqindje të barabartë me atë të huas afatshkurtër të Bankës Qendrore Evropiane të zbatueshme gjatë kësaj periudhe, të shtuar me tri pikë përqindjeje;
3. Hedh poshtë, njëzëri, kërkesën për çdo shtesë si shpërblim të drejtë.
I hartuar në frëngjisht dhe në anglisht, pastaj i shpallur në seancë publike në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 23 qershor 2008.
Vincent BergerJean-Paul Costa
Këshilltar juridikKryetar
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të Rregullores, paraqitja e mendimit më vete të gjyqtares Steiner.
J.-P.C.
V.B.
Mendimet më vete nuk janë përkthyer, por janë në anglisht dhe/ose në frëngjisht në variant(in/et) e vendimit në gjuhë zyrtare dhe mund të shihen bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të së Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të së Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jotregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund) Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Tout personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy