MASTROMATTEO kundër ITALISË
(kërkesa nr. 37703/97)
24 tetor 2002
Dhomë e Madhe
ky vendim sqaron natyrën dhe shtrirjen e detyrimit pozitiv të shtetit për të mbrojtur të drejtën e jetës
I.Faktet kryesore
1.Kërkuesi, Raffaele Mastromatteo, ka lindur në vitin 1933 dhe jeton në Itali. Më 8 nëntor 1989 i biri i kërkuesit u vra nga tre persona, të cilët po tentonin t’i grabisnin makinën, në përpjekje për t’u larguar pasi grabitën një bankë. Dy nga këta tre persona kishin qenë në burg pas dënimeve penale të formës së prerë për vepra të dhunshme të përsëritura. Në kohën e ngjarjeve njëri nga këta dy persona, i cili edhe kishte qëlluar të shtënën fatale, ishte liruar përkohësisht nga burgu me leje, ndërsa tjetri ishte nën një regjim të heqjes së pjesshme të lirisë. Gjyqtarët përgjegjës për ekzekutimin e dënimeve të tyre, u kishin dhënë leje për të dalë dhe miratuar regjimin e heqjes së pjesshme të lirisë sepse, sipas raporteve nga autoritetet e burgut mbi sjelljen e këtyre personave në burg, ata nuk përbënin rrezik për shoqërinë. Tre kriminelët më vonë u dënuan me dënime të gjata me burg.
2.Kërkuesi iu drejtua autoriteteve për të marrë kompensim në bazë të një ligji i cili parashikonte një gjë të tillë për viktimat e terrorizmit dhe krimit të organizuar, por kërkesa e tij u refuzua, së pari nga Ministri i Brendshëm dhe më pas nga Presidenti i Republikës.
3.Duke u bazuar në nenin 2 të Konventës, kërkuesi pretendoi se vendimet e gjyqtarëve përgjegjës për ekzekutimin e dënimeve të cilët iu kishin dhënë leje për të dalë nga burgu vrasësve të djalit të tij, kishin çuar në vdekjen e tij. Ai më tej u ankua se ai nuk kishte marrë asnjë kompensim nga shteti.
II.Vendimi i Gjykatës
A. Në lidhje me nenin 2
i.në lidhje me pretendimin se autoritetet nuk kishin përmbushur detyrimin për të mbrojtur jetën e djalit të kërkuesit
4.Përsa i përket çështjes nëse, sistemi i masave alternative të dënimit me burg bënte që të lindte përgjegjësia e Shtetit sipas nenit 2 të Konventës, Gjykata vuri re se një nga vrasësit ishte liruar me leje nga burgu. Gjykata pranon se një nga funksionet thelbësore të një dënimi me burg është që të mbrohet shoqëria, por ajo kujtoi gjithashtu qëllimin legjitim të një politike të ri-integrimit social të të dënuarve. Ajo vuri në dukje se legjislacioni italian parashikonte mundësinë që t’u jepej leje të burgosurve që kishin shërbyer një pjesë të dënimeve të tyre, pjesë që varet nga rëndësia e veprave penale për të cilat janë dënuar. Sipas këtij legjislacioni, të burgosurit duhet të tregojnë një dëshirë reale për të marrë pjesë në programin e ri-integrimit. Vlerësimi i rrezikut të këtyre të burgosurve për shoqërinë lihej në vlerësimin e gjyqtarit përgjegjës për ekzekutimin e dënimeve, i cili për këtë qëllim konsultohej me autoritetet e burgut dhe, në rast nevoje edhe me policinë. Gjykata vlerëson se sistemi i miratuar në Itali ofron masa të mjaftueshme mbrojtëse për shoqërinë. Prandaj, nuk kishte elementë që të bënin të mendoje se sistemi i zbatueshëm i masave të ri-integrimit në Itali në atë kohë ishte problematik sipas nenit 2.
5.Në lidhje me problemin nëse miratimi dhe zbatimi i masave të dënimeve alternative përbën në vetvete një shkelje të detyrimit për kujdesin, të kërkuar nga neni 2 i Konventës, Gjykata theksoi se kërcënimi përkatës në rastin konkret ishte një kërcënim për jetën e anëtarëve të publikut në përgjithësi dhe jo të një ose më shumë individëve të caktuar. Në dhënien e masave alternative, gjyqtarët përgjegjës për ekzekutimin e dënimeve i kanë bazuar vendimet e tyre në raportet nga autoritetet e burgut të cilat jepnin përshtypje pozitive mbi sjelljen e dy të burgosurve. Gjykata konstaton se nuk del të ketë pasur asnjë element që t’i bënte autoritetet kombëtare të mendonin se lirimi i këtyre dy personave mund të përbënte një rrezik real dhe të menjëhershëm ndaj jetës. Nuk dilte as ndonjë element që t’i alarmonte autoritetet për nevojën për masa shtesë kundër tyre pasi ata ishin liruar. Për pasojë, Gjykata arriti në përfundimin se nuk ka pasur shkelje të nenit 2 për sa i përket pretendimeve për mungesë veprimi të përshtatshëm nga ana e autoriteteve.
ii.Në lidhje me pretendimin për shkelje të detyrimit procedural që rrjedh nga neni 2
6.Përderisa vrasësit kishin qenë të burgosur nën kontrollin e autoriteteve në kohën e ngjarjeve, Gjykata vendosi se kishte një detyrim procedural për të përcaktuar rrethanat e vdekjes së djalit të kërkuesit. Si rezultat i hetimit, kriminelët u gjetën fajtorë për vrasjen, u dënuan me burg për një kohë të gjatë dhe u urdhëruan të kompensonin kërkuesin. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se Shteti kishte përmbushur detyrimin e tij në bazë të nenit 2 të Konventës për të garantuar një hetim penal.
7.Në lidhje me pyetjen nëse detyrimi procedural sipas nenit 2 kërkon një mjet sipas të cilit të mund të bëhet një padi kundër Shtetit, Gjykata vuri në dukje se pretendimi i kërkuesit për kompensim ishte hedhur poshtë, me arsyetimin se ligji në të cilin ai mbështetej nuk ishte i zbatueshëm në këtë rast. Megjithatë, ai kishte në dispozicion dy mjete juridike, një padi kundër Shtetit për dëm, dhe një padi kundër gjyqtarëve përgjegjës për zbatimin e dënimeve. Në këtë kontekst, Gjykata thekson se neni 2 i Konventës nuk u imponon Shteteve një detyrim që të japin dëmshpërblim në bazë të përgjegjësisë objektive. Fakti që, për të pasur përgjegjësi të gjyqtarëve duhet të vërtetohet një mashtrim ose një gabimi i rëndë, nuk e zhvesh nga substanca natyrën e mbrojtjes procedurale që ofron e drejta e brendshme. Për pasojë, Gjykata vlerësoi janë përmbushur kërkesat procedurale sipas nenit 2 të Konventës dhe se nuk ka pasur shkelje.
Full & Egal Universal Law Academy