© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Ky përkthim u krye me mbështetje të Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për informacione të mëtejshme shiko të dhënat e plota për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyrights/droits d’auteur à la fin du present document.
GJYKATA EUROPIANE E TË DREJTAVE TË NJERIUT
1959 ˖ 50 ˖ 2009
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA MICALLEF kundër MALTËS
(Kërkesë nr. 17056/06)
VENDIM
STRASBURG
15 Tetor 2009
Ky vendim është i formës së prerë, por mund të rishikohet nga ana redaktoriale.
Në çështjen Micallef kundër Maltës,
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, duke gjykuar si Dhomë e Madhe e përbërë nga:
Jean-Paul Costa, President,
Christos Rozakis,
Françoise Tulkens,
Giovanni Bonello,
Corneliu Bîrsan,
Karel Jungwiert,
Anatoly Kovler,
Vladimiro Zagrebelsky,
Elisabet Fura-Sandström,
Khanlar Hajiyev,
Egbert Myjer,
David Thór Björgvinsson,
Dragoljub Popović,
Giorgio Malinverni,
András Sajó,
Zdravka Kalaydjieva,
Mihai Poalelungi, gjyqtarë,
dhe Michael O’Boyle, Zëvendës Regjistrues,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 22 Tetor 2008 dhe 9 Shtator 2009,
Jep vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në datën e fundit të sipërpërmendur.
PROCEDURA
1. Çështja nis me një kërkesë (nr. 17056/06) kundër Maltës depozituar në Gjykatë në bazë të Nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (Konventa) nga një qytetar maltez, Z. Joseph Micallef (“kërkuesi”), në datën 15 Prill 2006.
2. Kërkuesi, të cilit i ishte akorduar ndihmë ligjore, u përfaqësua nga Dr. T. Azzopardi, një avokat që ushtron profesionin e tij në Valetta. Qeveria Malteze (“Qeveria”) u përfaqësua nga Agjenti i Qeverisë, Dr. S. Camilleri, Prokuror i Përgjithshëm.
3. Kërkuesi pretendonte se Znj. M. i ishte mohuar e drejta për një proces të rregullt, veçanërisht, për shkak se nuk ishte dhënë mundësia të bënte parashtrimet e veta përpara një gjykate të paanshme, në kundërshtim me Nenin 6 të Konventës.
4. Kërkesa iu caktua Seksionit të Katërt të Gjykatës (Rregulli 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Në 5 Shtator 2006, një Dhomë e ketij Seksioni, e përbërë nga gjyqtarët Sir N. Bratza, President, Y. J. Casadevall, Z. G. Bonello, Z. M. Pellonpää, Z. L. Garlicki, Znj L. Mijović, dhe Z. J. Šikuta, vendosi t’ia komunikojë Qeverisë kërkesën në lidhje me rregullsinë e procesit të apelit dhe pretendimin për mungesë paanshmërie nga ana e Gjykatës së Apelit dhe e deklaroi të papranueshme pjesën tjetër të kërkesës. Ajo vendosi, gjithashtu, për shqyrtimin njëkohësisht të themelit të kërkesës dhe të pranueshmërisë, në përputhje me Nenin 29 § 3 të Konventës. Më 15 Janar 2008, një Dhomë e këtij Seksioni, e përbërë nga gjyqtarët Sir N. Bratza, President, Z. G. Bonello, Z. K. Traja, Z. L. Garlicki, Znj L. Mijović, Z. J. Šikuta dhe Znj P. Hirvelä, me shumicë votash, e deklaroi të pranueshme pjesën tjetër të kërkesës dhe, me katër vota përkundrejt tre, u shpreh se ishte shkelur Neni 6 i Konventës. Vendimit iu bashkangjit një opinion pajtues i Z. G. Bonello dhe një opinion i përbashkët kundërshtues i Sir N. Bratza, Z. K. Traja dhe Znj. P. Hirvelä.
5. Më 7 Korrik 2008 një panel i Dhomës së Madhe pranoi kërkesën e Qeverisë për t’ia referuar çështjen Dhomës së Madhe në përputhje me Nenin 43 të Konventës.
6. Përbërja e Dhomës së Madhe u përcaktua në përputhje me dispozitat e Nenit 27 § 2 dhe 3 të Konventës dhe Rregullit 24 të Rregullores së Gjykatës.
7. Kërkuesi dhe Qeveria depozituan secili vërejtjet e tyre në lidhje me pranueshmërinë dhe themelin e çështjes. Veç kësaj, u morën komente të palës së tretë nga Qeveria e Repuplikës Çeke, të cilës i ishte dhënë leja nga Presidenti për ndërhyrje me komente me shkrim (Neni 36 § 2 i Konventës dhe Rregulli 44 § 2).
8. Më 22 Tetor 2008 në Godinën e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, u mbajt seanca dëgjimore e hapur për publikun (Rregulli 59 § 3).
Përpara Gjykatës u paraqitën:
(a) për Qeverinë
Dr Silvio Camilleri, Prokuror i Përgjithshëm, Agjent,
Dr Peter Grech, Zv. Prokuror i Përgjithshëm, Këshilltar;
(b) për kërkuesin
Dr Tonio Azzopardi, Avokat.
Gjykata dëgjoi parashtrimet nga Dr. Tonio Azzopardi dhe Dr. Silvio Camilleri, si dhe përgjigjet e tyre për pyetjet e bëra nga Gjykata.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
9. Kërkuesi ka lindur në vitin 1929 dhe jeton në Vittoriosa.
A. Rrethanat e çështjes
10. Kërkuesi është vëllai i Znj. M., e cila banonte në një apartament mbi Z. F.
11. Më 17 Korrik 1985, Z F. ka bërë një kërkesë për nxjerrjen e një urdhri që ndalonte Znj. M. të ndente rrobat e saj për tharje mbi oborrin e apartamentit të tij, gjë që cënonte, sipas tij, të drejtën e tij të pronës. Në lidhje me këtë, Z. F. u mbështet në dispozitat e Nenit 403 të Kodit Civil të Maltës.
12. Në një rast, mbas një seancë dëgjimore për urdhrin ndalues e mbasi Znj. M. dhe avokati i saj, Dr. A., ishin larguar nga salla e gjyqit, gjyqtari kryesues kish ndryshuar datën e seancës së ardhëshme, e cila qe caktuar që më parë. Për rrjedhojë, Znj. M. në padijeni për datën e re, nuk ishte e pranishme në seancë. Në mungesë të saj, më 29 Nëntor 1985, Gjyqtari kryesues nxorri urdhrin ndalues në favour të Z. F.
13. Sipas ligjit maltez, siç ishte në atë kohë, Z. F. për pretendimin e tij pronësor që mbrohej nga urdhri, duhej të hapte proces në gjykatë brenda katër ditësh nga koha e lëshimit të urdhrit ndalues; përndryshe urdhri nuk ishte më i vlefshëm. Në përputhje me këtë, më 5 Dhjetor 1985, Z. F. bëri kërkesën për fillimin e procesit në gjykatë.
14. Më 6 Mars 1992 gjykata përkatëse që mori në shqyrtim themelin e çështjes së ngritur nga Z. F, mori vendim kundër Znj. M dhe nxorri një urdhër ndalues të përhershëm ndaj saj. Më 24 Mars 1992, përderisa nuk ishte paraqitur asnjë kërkesë për apel, vendimi u bë i formës së prerë.
B. Procesi përpara Gjykatës Civile në juridiksionin e saj të zakonshëm
15. Më 6 Dhjetor 1985 Znj. M. hapi proces përpara Gjykatës Civile (Salla e Parë) brenda juridiksionit të saj të zakonshëm, duke pretenduar se urdhri ndalues ishte nxjerrë në mungesë të saj dhe pa i dhënë asaj mundësinë për të dëshmuar (shih paragrafin 77 më poshtë).
16. Me anë të një vendimi të datës 15 Tetor 1990, Gjykata Civile mbështeti pretendimin e saj. Ajo u shpreh se në procedurën për lëshimin e një urdhri ndalues duhej zbatuar parimi audi alteram partem. Duke iu referuar Nenit 873 (2) të Kodit të Organizimit dhe Procedurës Civile, i cili përcakton se urdhri ndalues lëshohet vetëm kur gjykata është e bindur se një gjë e tillë është e domosdoshme për mbrojtjen e çfarëdolloj të drejte të personit që e kërkon atë (shiko paragrafin 27 më poshtë), Gjykata Civile u shpreh se testi përkatës ishte çështje e diskrecionit të gjykatës. Megjithatë, në rast se gjykata e cilësonte të domosdoshme të dëgjonte palët, ato duhet të dëgjoheshin në mënyrë të rregullt, në përputhje me parimet e detyrimit të gjykatës për të vepruar me drejtësi. Për çështjen në fjalë gjykata u shpreh se, Zonjës M., jo për faj të saj, i ishte mohuar e drejta për t’u dëgjuar nga gjykata e, rrjedhimisht, urdhri në fjalë ishte i pavlefshëm.
C. Procesi në Gjykatën e Apelit
17. Z. F. apeloi kundër vendimit të 15 Tetorit 1990. Në gjykimin e shkallës së parë, Z. F. u asistua nga Dr. U., ndërsa në fazën e apelit ai kishte caktuar si përfaqësues të tij djalin e këtij të fundit, Dr. C. Kryetari i seancës në Gjykatën e Apelit ishte Kryetari i Gjykatës, i cili gjykonte çështjen bashkë me dy gjyqtarë të tjerë. Kryetari i Gjykatës ishte vëllai i Dr. U. dhe xhaxhai i Dr. C.
18. Në seancën e apelit të datës 12 Tetor 1992, Kryetari i Gjykatës, mbasi bëri disa pyetje, u shpreh se sjellja e Dr. A. ishte jo etike, pasi ai kishte sulmuar, pa arsye, sjelljen e avokatit të Z. F. Kur u tha se në procesin gjyqësor në shkallën e parë Z. F. ishte përfaqësuar nga i vëllai i Kryetarit të Gjykatës, ky i fundit kërcënoi se do ia referonte çështjen “autoriteteve kompetente”. Veç kësaj, për këtë qëllim ai diktoi një shënim ku thuhej si më poshtë:
“Gjykata e pyet Dr. A., i cili deklaron vetë se data e seancës në shkallën e parë ishte ndryshuar pasi ai dhe klientja e tij ishin larguar nga salla e gjyqit, se përse ai këmbëngul që ndryshimi në fjalë i datës ka ndodhur sipas kërkesës së bërë nga një avokat. Përgjigjia e Dr. A. është: ‘dal në këtë përfundim, pasi të pranishëm ishin dy avokatë: Dr. A. dhe unë’.
... Avokati i Znj. M. pohon fakte dhe nuk e ka problem të ngrejë hipoteza në lidhje me sjelljen e gjyqtarit dhe të një një avokati tjetër në kohën kur ai dhe klientja e tij ishin larguar nga salla e gjyqit”
19. Dr A. u shpreh shkurt në mbrojtje të qëndrimit të tij, por për themelin e apelit nuk u bë asnjë parashtrim gojor. Kryetari i Gjykatës e pezulloi seancën dhe u largua nga salla për në zyrën e tij. Pas disa minutash avokatët e të dy palëve u thirrën në zyrën e Kryetarit të Gjykatës. U dëgjuan shpjegimet e dhëna dhe nuk rrezulton të jenë ndërmarrë veprime të mëtejshme.
20. Me një vendim të datës 5 Shkurt 1993, Gjykata e Apelit vendosi kundër Znj. M dhe përmbysi vendimin e Gjykatës Civile. Ajo u shpreh se parimet e detyrimit për të vepruar me drejtësi (drejtësia natyrale ????) nuk ishin të detyrueshme për procedurat paraprake që ishin kryesisht të kushtëzuara dhe me natyrë të përkohëshme. Veç kësaj, Gjykata e Apelit nuk ishte dakord me faktin e përmendur në gjykimin e shkallës së parë në lidhje me ndryshimin e datës si shkak për mungesën e Znj. M. në seancën gjyqësore. Në lidhje me këtë, vendimi përsëriti pjesërisht shënimin e diktuar gjatë seancës– “Avokati i Znj. M. pohon fakte dhe nuk e ka problem të ngrejë hipoteza në lidhje me sjelljen e gjyqtarit dhe të një avokati tjetër, në kohën kur ai dhe klientja e tij ishin larguar nga salla e gjyqit”. Gjykata e Apelit urdhëroi, gjithashtu, heqjen nga rekordet e çështjes të një raporti në mbështetje të pretendimit të Znj. M., i cili ishte përpiluar nga një asistent gjyqësor i caktuar nga Gjykata Civile.
D. Procesi përpara Gjykatës Civile në juridiksionin e saj kushtetues
21. Në 25 Mars 1993, Znj. M. hapi proces përpara Gjykatës Civile (Salla e Parë) në juridiksionin e saj kushtetues. Mbështetur në Nenin 6 të Konventës, ajo pretendoi se Kryetarit të Gjykatës së Apelit i mungonte paanshmëria objektive dhe kjo qe manifestuar në incidentin e 12 Tetorit 1992. Duke vërejtur se Gjykata e Apelit kishte hedhur poshtë fakte të provuara tashmë, ajo parashtroi më tej se i ishte shkelur e drejta e saj për proces të rregullt ligjor.
22. Znj M. vdiq në 20 Janar 2002, përpara se të merrej vendimi për pretendimin e saj kushtetues. Më 22 Maj 2002 kërkuesi ndërhyn në procesin gjyqësor në Gjykatën Civile me statusin e vëllait të paditëses.
23. Në një vendim të datës 29 Janar 2004, Gjykata Civile e hodhi poshtë pretendimin e Znj. M. si të pabazuar dhe irritues. Megjithëse vuri në dukje se paditësja nuk kishte kërkuar tërheqjen e Kryegjyqtarit nga shqyrtimi i çështjes para shpalljes së vendimit përfundimtar, ajo hodhi poshtë deklaratën e Qeverisë për mos-shterrim të mjeteve gjyqësore të zakonshme dhe vendosi të ushtrojë juridiksionin e saj kushtetues. Për sa i takon themelit të çështjes, ajo bëri një analizë të thellë të nocioneve dhe të drejtave që rrjedhin nga Neni 6 i Konventës, përfshirë barazinë e mjeteve (gjyqësore), por theksin e vuri në mënyrë të veçantë tek kërkesa për paanshmëri të Gjykatës Civile. Megjithatë, nuk arriti të konstatojë ndonjë lidhje midis incidentit të 12 Tetorit 1992 dhe përmbajtjes së gjykimit të 5 Shkurtit 1993. Siç u konfirmua nga vetë Dr A., incidenti qe mbyllur; megjithatë, kjo nuk mund të kishte krijuar tek Znj. M. apo avokati i saj, pritshmërinë e një vendimi në favour të saj nga Gjykata e Apelit. Veç kësaj, trupi gjykues i Gjykatës së Apelit përbëhej edhe nga dy gjyqtarë të tjerë, të cilët nuk ishin përfshirë në këtë incident, e nuk kishte asnjë dyshim që vendimi, i cili rezultonte të ishte i mirë-argumentuar, ishte dhënë nga trupi gjykues si një i tërë.
E. Procesi në Gjykatën Kushtetuese
24. Kërkuesi apeloi në Gjykatën Kushtetuese.
25. Me vendim të datës 24 Tetor 2005, Gjykata Kushtetuese e shpalli kërkesën për apel të papranueshme. Ajo theksoi se në përputhje me Nenin 46 § 5 të Kushtetutës, nuk apelohet një vendim që hedh poshtë një ankesë si të pabazuar dhe irrituese.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDËSHME PËRKATËSE
26. Neni 403 i Kodit Civil shprehet si më poshtë:
“(1) Banesat e një niveli më poshtë janë të ndërvarura ndaj banesave në nivelin më sipër për sigurimin e ujit dhe të materialeve të tjera në rrjedhjen apo rënien e tyre të natyrshme, pa ndërhyrjen e njeriut.
(2) Çfarëdolloj ndërhyrje e pronarit të një banese në nivelin më poshtë, që mund ta pengojë këtë rrjedhje apo rënie, është e paligjshme.
(3) Po ashtu është e paligjshme që pronari i një banese më lart të bëjë diçka që vështirëson përdorimin normal të banesës më poshtë.”
27. Neni 873 i Titullit VI, Nën-Titullit V të Kodit të Organizimit dhe Procedurës Civile (“COCP”), në lidhje me mandatin e urdhërit ndalues, shprehet si më poshtë:
“(1) Qëllimi i një urdhri ndalues është të pengojë një person të ndërmarrë veprime të çdo lloji, që mund të jenë të cënuese për personin që e kërkon nxjerrjen e urdhrit.
(2) Gjykata e lëshon një urdhër të tillë vetëm kur është e bindur se urdhri është i domosdoshëm për mbrojtjen e çdo të drejte të personit që kërkon lëshimin e urdhrit, dhe se prima facia personi rezulton se e gëzon këtë të drejtë.
28. Sipas ligjit maltez, siç ishte në kohën e gjykimit të kësaj çështje, një gjykatës mund të mos pranohet, ose mund të abstenojë nga gjykimi i një çështje, në rast se një nga palët përfaqësohej nga djali, vajza, bashkëshortja apo një paraardhës i gjykatësit. Asgjë nuk e nuk e ndalonte një gjykatës të merrte pjesë në gjykimin e një çështje, në rast se përfaqësuesi në fjalë ishte vëllai apo nipi i tij ose i saj. Nenet përkatëse të COCP-s, për aq sa janë relevante, shprehen si më poshtë:
Neni 733
“Gjykatësit nuk mund të mos pranohen, as nuk mund të abstenojnë nga gjykimi i çdo çështje të paraqitur përpara gjykatës e që u është caktuar për gjykim, përveç se për arsyet e përmendura në vazhdim.”
Neni 734
“(1) Një gjykatës mund të mos pranohet ose mund të abstenojë nga gjykimi i një çështje -
...
(e) në qoftë se ai, apo gruaja e tij, ka një interest të drejtpërdrjetë apo të tërthortë për procesin gjyqësor;
(f) në qoftë se avokati apo përfaqësuesi ligjor që mbron çështjen përpara gjyqtarit është djali apo vajza, gruaja apo paraardhës i gjyqtarit në fjalë;”
29. Neni përkatës i COCP-s u amendua në vitin 2007 duke përfshirë një arsye tjetër:
“(g) në qoftë se avokati apo përfaqësuesi ligjor që mbron çështjen përpara gjykatësit është vëllai apo motra e gjyqtarit në fjalë;”
30. Neni 39 (2) i Kushtetutës së Maltës, për aq sa është relevant, shprehet si më poshtë:
“Çdo gjykatë apo autoritet gjykues i ngarkuar nga ligji të përcaktojë ekzistencën apo nivelin e të drejtave apo detyrimeve civile, duhet të jetë e pavarur dhe e paanshme;...”
III. E DREJTA DHE PRAKTIKA KRAHASUESE DHE E BASHKIMIT EUROPIAN
A. Sistemet kombëtare
31. Në bazë të materialit të vënë në dispozicion të Gjykatës në lidhje me legjislacionin e një numri domethënës Shtetesh Anëtare të Këshillit të Europës, duket se ekziston një konsensus i gjerë në lidhje me zbatueshmërinë e garancive të Nenit 6 për masat provizore, përfshirë dhe procedurat e urdhrit ndalues. Ky konkluzion është nxjerrë nga tekste konstitucionale, kode të procedures civile dhe jurisprudenca të brendëshme. (Shqipëria, Austria, Azerbaixhani, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Estonia, Franca, Gjermania, Hungaria, Irlanda, Italia, Hollanda, Polonia, Rusia, San Marino, Serbia, Spanja, Suedia, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar). Legjislacioni sugjeron se garancitë proceduriale të Nenit 6 (veçanërisht kërkesa për paanshmëri) janë të zbatueshme në procedurat e masave provizore dhe të urdhrave ndalues, ose sepse legjislacioni nuk bën dallim për sa i takon fazës dhe llojit të procedurave ku këto garanci janë të zbatueshme (si në rastin e Kushtetutës së Spanjës, Italisë, Greqisë dhe Zvicrës), ose sepse dispozitat specifike që mbulojnë masat provizore reflektojnë në njëfarë mënyre garancitë kryesore të mishëruara tek Neni 6 – si për shembull, legjislacioni që specifikon dispozitat rregulluese të procedurave për themelin e çështjes, është i zbatueshëm mutatis mutandis për procedurat e urdhrit ndalues (si në rastin e Polonisë), ose është i tillë, përveç se kur ligji e përcakton ndryshe (si në rastin e Gjermanisë). Gjykatat belge janë marrë me këtë çështje në mënyrë specifike (shiko vendimet e Gjykatës së Kasacionit në çështjen Greenpeace dhe Aksioni Global në Interes të Kafshëve, i 14 Janarit 2005) dhe janë shprehur se Neni 6 i Konventës është në parim i zbatueshëm në procedurat e masave provizore (référé).
B. Bashkimi Europian
32. Neni 47 i Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Europian (“BE”) garanton të drejtën për një proces të rregullt. Ndryshe nga Neni 6 i Konventës, dispozita e Kartës nuk e kufizon këtë të drejtë për mosmarrëveshje në lidhje me “detyrime dhe të drejta civile” apo më “çdo akuzë penale” dhe nuk i referohet “përcaktimit” të kësaj gjëje. Në çështjen Denilauler/Couchet Frères (GjED, Çështja C 125/79, 21 Maj 1980) Gjykata Europiane e Drejtësisë (“GjED”) është shprehur se masat e provizore të dhëna ex parte pa dëgjuar të paditurin, sipas jurisprudencës së saj, nuk njihen. Kjo do të thotë që të tilla garanci duhet të jenë të zbatueshme edhe jashtë kontekstit të vendimeve gjyqësore përfundimtare.
E DREJTA
33. Kërkuesi ankohej për mungesë paanshmërie nga ana e Gjykatës së Apelit dhe, për pasojë, Zonjës M i ishte mohuar mundësia për të bërë parashtrimet e saj, duke shkelur të drejtën së saj për një seancë të rregullt gjyqësore, parashikuar në Nenin 6 të Konventës, i cili shprehet si më poshtë:
“Në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të tij civile ..., çdo njeri ka të drejtën të dëgjohet ... drejtësisht ... nga një gjykatë e pavarur dhe e paanëshme e krijuar ligjërisht.”
34. Qeveria e kundërshtoi këtë argument.
I. KUNDËRSHTIMET PARAPRAKE TË QEVERISË
35. Qeveria kontestoi pranueshmërinë e kërkesës për një numër arsyesh në bazë të Neneve 34 dhe 35 § 1 të Konventës.
Neni 34 parashikon që:
“Gjykata mund të pranojë kërkesa nga çdo person ... që pretendon se është viktimë e një shkeljeje nga një Palë e Lartë kontraktuese e të drejtave të njohura nga Konventa ose protokollet e saj. ...”
Neni 35 § 1 shprehet:
“Gjykata mund të vihet në lëvizje vetëm pasi të jenë shterruar të gjitha mjetet e brendshme juridike, sipas parimeve përgjithësisht të pranuara të së drejtës ndërkombëtare dhe brënda një afati kohor prej gjashtë muajsh nga data e vendimit përfundimtar.”
A. Statusi i Viktimës
1. Konkluzionet e Dhomës
36. Dhoma, e cila e ngriti çështjen me kërkesë të saj, vërejti se Znj. M., viktima e drejtëpërdrejtë, vdiq ndërkohë që ishte duke ndjekur mjetet e brendëshme juridike, që do të thotë se synonte të ankohej në Gjykatë për shkeljen e pretenduar. Ajo vërejti gjithashtu se, pas vdekjes së viktimës, gjykatat e brendëshme nuk e refuzuan kërkesën e kërkuesit për të ndërhyrë në procesin kushtetues e, më pas, për të apeluar vendimin në cilësinë e tij si vëllai i paditëses. Veç kësaj, Gjykata e kishte diskrecionin për t’ia njohur statusin e viktimës një kërkuesi dhe për të vazhduar shqyrtimin e një kërkese kur kjo kishte të bënte me një çështje të një interesi të përgjithshëm. Dhoma gjykoi se pamundësia, në bazë të së drejtës së brendëshme, për të mos pranuar një gjykatës në bazë të lidhjeve të tij apo të saj me avokatin e njërës palë, ishte një çështje mjaftueshmërisht me interes të përgjithshëm. Duke vërejtur, gjithashtu, se Qeveria nuk kishte paraqitur ndonjë kundërshtim në lidhje me këtë, Dhoma konkludoi se kërkuesi kishte të drejtë të paraqiste kërkesën në fjalë.
2. Parashtrimet e Qeverisë
37. Qeveria parashtroi se kërkuesi nuk e kishte statusin e viktimës për sa kohë ai nuk ishte palë në procesin gjyqësor për të cilin ishte bërë ankesë. Viktima e vetme e drejpërdrejtë ishte motra e tij, e cila kishte vdekur gjatë procesit të brendshëm kushtetues. Qeveria argumentoi se ishte i parëndësishëm fakti që kërkuesi ishte lejuar të ndërhynte në proceset e mëvonëshme në vend të së motrës. Sipas të drejtës malteze, kjo ishte një praktikë standarte bazuar në parimin e vazhdimësisë të së drejtës civile, sipas të cilës, një trashëgimtar mund të jetë vazhdues i personalitetit ligjor të personit që ka vdekur pavarësisht statusit të viktimës të trashëgimtarit për qëllimet e Konventës.
38. Veç kësaj, Qeveria kundërshtoi interpretimin e Dhomës në lidhje me diskrecionin e Gjykatës për dhënien e statusit të viktimës në bazë të “interesit të përgjithshëm të mjaftueshëm”. Në pikëpamjen e tyre, kjo nuk ishte në përputhje me Nenin 34 të Konventës dhe do të çonte në pranimin e një actio popularis. Megjithatë, edhe po të ishte kështu, në çështjen në fjalë ligji nuk përmbante asnjë mangësi të rëndësishme që të justifikonte ushtrimin e diskrecionit të pretenduar nga Dhoma.
3. Parashtrimet e kërkuesit
39. Kërkuesi fillimisht parashtroi se ngritja nga ana e Qeverisë e një argument të ri përpara Gjykatës në këtë fazë të procesit, është keqpërdorim i procesit dhe në kundërshtim me parimin e subsidiaritetit. Përderisa nuk e kishte kundërshtuar këtë gjë përpara gjykatave vendase, ajo duhej ndaluar ta bënte një gjë të tillë tani.
40. Gjithsesi, kërkuesi parashtroi se viktima direkte kishte vdekur ndërkohë që ishte në procesin e ndjekjes së mjeteve të brendëshme, pa të cilat ajo nuk mund t’i drejtohej Gjykatës. Në të vërtetë, pas vdekjes së Znj. M, gjykatat vendase kishin pranuar locus standi të kërkuesit në procesin kushtetues në përputhje me të drejtën e brendëshme. Veç kësaj, me t’u bërë palë në proceset përpara gjykatave vendase, kërkuesi u detyrua të merrte mbi vete kostot e çështjes kushtetuese që ishte filluar nga e motra, duke vuajtur kështu edhe paragjykim financiar. Sipas kërkuesit, me t’u marrë ky status, kjo gjë ishte e pakthyeshme.
41. Së fundi, kërkuesi parashtroi se kërkesa mbartte një dimension moral që ngrinte çështje serioze me ndikim në interpretimin apo zbatimin e Konventës dhe përbënte një çështje serioze të një rëndësie të përgjithëshme. Kësisoj, nuk mund të thuhej se kriteri i interesit të përgjithshëm referuar nga Dhoma, nuk ishte i zbatueshëm për çështjen në fjalë.
4. Parashtrime të Qeverisë si Palë e Tretë
42. Qeveria e Republikës Çeke parashtroi se për Gjykatën ishte e pranueshme t’ia njihte të drejtën e locus standi të afërmit të parë të kërkuesit, në rastin e vdekjes së kërkuesit gjatë procesit në Gjykatë. Megjithatë, në qoftë se viktima direkte vdes përpara depoztimit të kërkesës, statusi i viktimës duhet të njihet vetëm në mënyrë përjashtimore. Kjo gjë ndodh në rastet kur shkelja e pretenduar e ka penguar viktimën direkte të bëjë të ditura pretendimet e saj/tij (Bazorkina k. Russia, nr. 69481/01, § 139, 27 Korrik 2006) ose kur personat që aspirojnë të kenë statusin e viktimës, zakonisht trashëgimtarët, janë vetë të prekur nga çka pretendohet të jetë pasojë negative e shkeljes së pretenduar (Ressegatti k. Switzerland, nr. 17671/02, § 25, 13 Korrik 2006).
43. Veç kësaj, Gjykata nuk kishte diskrecion për dhënien e statusit të viktimës për arsyen se ankesa kishte të bënte me një çështje me interes të përgjithshëm. Megjithatë, ajo kishte diskrecionin, në bazë të Nenit 37 § 1 të Konventës, të vazhdonte shqyrtimin e një kërkese edhe në mungesë të një personi që dëshiron të përfundojë betejën e filluar nga kërkuesi/ja e vdekur. Zbatimi i këtij diskrecioni për një proces të iniciuar nga një i afërm, që nuk plotëson kriterin e të jashtëzakonshmes të përmendur më sipër, do të ishte lejim i Gjykatës për të zgjedhur, me mocion të saj, se cilat kërkesa duhen shqyrtuar.
5. Vlerësimi i Gjykatës
44. Që të mund të depozitohet një kërkesë sipas Nenit 34, një person, organizatë jo-qeveritare apo një grup personash duhet të jenë në gjendje të ngrenë pretendimin se “janë viktima të shkeljes ... së të drejtave të përcaktuara në Konventë ...”. Për të pretenduar se është viktimë e një shkelje, një person duhet të jetë drejtpërsëdrejti i prekur nga masa e kundërshtuar (shiko Burden k. Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 13378/05, § 33, 29 Prill 2008).
45. Ky kriter nuk duhet zbatuar në mënyrë të ngurtë, mekanike e jo-fleksibël (shiko Karner k. Austrisë, nr. 40016/98, § 25, ECHR 2003-IX). Gjykata ka pranuar se çështjet e të drejtave të njeriut shqyrtuar prej saj, përgjithësisht kanë edhe një dimension moral dhe personat e afërt të një kërkuesi/e mund të kenë kështu interesin legjitim që të interesohen për vënien në vend të drejtësisë edhe pas vdekjes së kërkuesit/es. Kjo është edhe më e vërtetë, në rast se problemi kryesor i ngritur nga çështja gjyqësore shkon përtej personit dhe interesave të kërkuesit e të trashëgimtarëve të tij, duke qenë se mund të ketë ndikim edhe në persona të tjerë (shiko Malhous k. Republikës Çeke [GC] (dec.), nr. 33071/96, ECHR 2000‑XII).
46. Gjykata, në rrethana të veçanta, ka diskrecionin të vendosë se respektimi i të drejtave të njeriut, siç përcaktohen në Konventë dhe Protokollet e saj, kërkon një vazhdim të shqyrtimit të çështjes (Neni 37 § 1 in fine i Konventës). Ky diskrecion varet nga ekzistenca e një problemi me interes të përgjithshëm (shiko Karner, cituar më sipër, § 27, dhe Marie-Louise Loyen dhe Bruneel k. Francës, nr. 55929/00, § 29, 5 Korrik 2005). Kjo gjë mund të dalë veçanërisht në rastet kur një kërkesë ka të bëjë me legjislacionin ose një sistem apo praktikë ligjore të shtetit të paditur (shiko Altun k. Gjermanisë, Vendime dhe Raporte nr. 36, § 32, dhe, mutatis mutandis, Karner, cituar më sipër, §§ 26, 28).
47. Në rastet kur kërkuesi fillestar ka vdekur pas paraqitjes së kërkesës në Gjykatë, Gjykata normalisht lejon të afërmin e parë, në lidhje gjaku, të ndjekë një kërkesë, me kusht që personi në fjalë është mjaftueshëm i interesuar (shiko Malhous [GC] (dec.), cituar më sipër). Megjithatë, situata ndryshon në rastin kur viktima direkte vdes përpara depozitimit të kërkesës në Gjykatë (shiko Fairfield k. Mbretërisë së Bashkuar (dec.), nr. 24790/04, ECHR 2005‑VI).
48. Gjykata e interpreton konceptin e “viktimës” në mënyrë autonome dhe pavarësisht koncepteve të legjislacionit vendas, si ato në lidhje me interesin apo kapacitetin për të vepruar (shiko Sanles Sanles k. Spanjës, (dec.), nr. 48335/99, ECHR 2000‑XI), edhe pse Gjykata duhet të mbajë parasysh se kërkuesi/ja ka qenë palë në proceset gjyqësore vendase. Në lidhje me ankesat në bazë të Nenit 6, Gjykata ka qenë e gatshme t’i njohë një të afërmi të drejtën e locus standi, ose kur ankesat kanë qenë të një interesi të përgjithshëm dhe ankuesit, si trashëgimtarë, kanë patur interes legjitim për ndjekjen e kërkesës (shiko Loyen, cituar më lart, § 29, dhe, anasjelltas, Biç dhe Të Tjerë k. Turqisë, nr. 55955/00, § 23, 2 Shkurt 2006), ose në bazë të efektit të drejtpërdrejtë mbi të drejtat trashëgimore të kërkuesit (shiko Ressegatti, cituar më lart, § 25).
49. Në çështjen në fjalë, Gjykata vërejti se viktima direkte vdiq gjatë procesit kushtetues, i cili zgjati mbi dhjetë vjet në shkallën e parë dhe ishte i domosdoshëm për shterrimin e mjeteve të brendëshme ligjore. Juridiksioni kushtetues nuk e hodhi poshtë kërkesën e kërkuesit për të ndërhyrë në procesin gjyqësor me cilësinë e vëllait dhe trashëgimtarit të paditëses, as nuk refuzoi të merrte në shqyrtim kërkesën e tij për apel. Gjithashtu, atij iu ngarkuan shpenzimet e çështjes së hapur nga e motra e, kësisoj, mund të konsiderohet se ka interesa trashëgimore për mbulimin e shpenzimeve.
50. Veç kësaj, Gjykata mendon se problemi i mangësisë së pretenduar në ligjin përkatës, gjë që e bënte të pamundur mospranimin e një gjykatësi për faktin se avokati që paraqitej përpara tij ishte nipi i tij, apo se ajo çka e rrezikonte çështjen kishte të bënte me sjelljen e vëllait të tij, ishte diçka që kishte të bënte me administrimin e drejtë të drejtësisë e kështu përbënte një çështje me interes të përgjithshëm.
51. Si përfundim, Dhoma e Madhe, ashtu si edhe Dhoma, mendon se për të dy arsyet e mësipërme ankuesi ka të drejtë të paraqesë kërkesën në fjalë. Në këtë mënyrë kundërshtimi i Qeverisë bie poshtë.
B. Mos-shterrimi i mjeteve të brendëshme
1. Konkluzioni i Dhomës
52. Dhoma konsideroi se, sipas ligjit të Maltës dhe duke iu referuar seancës së datës 12 Tetor 1992 në Gjykatën e Apelit, nuk kishte arsye specifike në bazë të të cilave të mos pranohej gjykatësi për faktin se ishte xhaxhai i një prej avokatëve që paraqiteshin përpara tij e, për pasojë, Znj. M. nuk mund të kërkonte tërheqjen e gjykatësit. Veç kësaj, kërkuesi kishte bërë ankesë në Gjykatën Civile, në juridiksionin e saj kushtetues, pas incidentit në fjalë dhe kjo e fundit kishte hedhur poshtë kundërshtimin e qeverisë për mos- shterrim të mjeteve juridike të zakonshme dhe ishte marrë me themelin e çështjes.
2. Parashtrimet e palëve
53. Qeveria parashtroi se, gjatë seancës së 12 Tetorit 1992. Znj. M. nuk u ankua se nuk i ishte dhënë mundësia të bënte parashtrime e as depozitoi ndonjë kërkesë për të bërë parashtrime të mëtejshme. Po kështu, ajo nuk shprehu kundërshtime për gjykatësin në asnjë fazë të procesit gjyqësor dhe gjatë të njëjtit proces nuk arriti të ngrinte para gjykatave përkatëse, në bazë të Nenit 6 të Konventës, pretendimin se e drejta e saj për akses në një gjykatë të paanshme kishte “gjasa” të shkelej. Znj. M. nuk kërkoi asnjëherë që Kryegjyqtari të tërhiqej nga çështja e saj, kërkesë kjo që nuk do të vendosej vetëm nga Kryegjyqtari, por nga të tre gjykatësit që gjykonin çështjen. Sipas Qeverisë, Znj. M. mund ta kishte bërë një kërkesë të tillë në bazë të Nenit 734 (1) të COCP-s (shiko pragrafin 28 më lart), i cili reflektonte rregullin nemo iudex in causa propria në përgjithësi. Qeveria iu referua disa vendimeve të gjykatave vendase, ku gjykatat në mënyrë të përsëritur i kishin dhënë një rëndësi dominante faktit se drejtësia jo vetëm që duhej bërë, por kjo gjë duhej bërë edhe në mënyrë të dukshme dhe kjo kishte qenë një arsye legjitime për tërheqjen apo mospranimin e gjykatësit. Megjithatë, në seancën përpara Dhomës së Madhe, Qeveria pranoi se nuk ekzistonte asnjë praktikë e brendëshme që të provonte se një kundërshtim në bazë të Nenit 734 (1) (e) to COCP-s në një rast si çështja në fjalë, do të kishte rezultuar i sukseshëm.
54. Kërkuesi nuk bëri asnjë parashtrim për këtë pikë.
3 Vlerësimi i Gjykatës
55. Sipas Nenit 35 § 1 të Konventës, Gjykata mund të merret me një çështje vetëm pasi të jenë shterruar të gjitha mjetet e brendëshme. Qëllimi i këtij rregulli është që t’u krijojë mundësinë Shteteve Kontraktuese të parandalojnë apo korrigjojnë shkeljet e pretenduara ndaj tyre përpara se këto shkelje t’i paraqiten Gjykatës (shiko, ndër autoriteteve të tjera, Selmouni k. Francës [GC], nr. 25803/94, § 74, ECHR 1999-V). Kështu, ankesa e paraqitur në Gjykatë, duhet t’u jetë paraqitur fillimisht gjykatave vendase, të paktën në substancë, në përputhje me kërkesat formale të ligjit vendas dhe brenda afateve kohore të përcaktuara në ligj (shiko Zarb Adami k. Maltës (dec.), nr. 17209/02, 24 Maj 2005). Megjithatë, rregulli i shterrimit të mjeteve juridike të brendëshme i kërkon një kërkuesi t’i drejtohet normalisht mjeteve juridike brenda sistemit të brendshëm ligjor, mjete këto të disponueshme dhe të mjaftueshme për të ofruar zgjidhje në lidhje me shkeljet e pretenduara. Ekzistenca e mjeteve juridike në fjalë duhet të jetë mjaftueshmërisht e sigurtë, jo vetëm në teori, por edhe në praktikë, gjë që nëse nuk është e tillë, do të thotë se nuk ka efektshmërinë dhe disponueshmërinë e domosdoshme. Nuk ka detyrim për rekurs në mjete juridike që janë të pamjaftueshme dhe të paefektshme (shiko Raninen k. Finlandës, 16 Dhjetor 1997, § 41, Raporte të Gjykimeve dhe Vendimeve 1997‑VIII).
56. Dhoma e Madhe, ashtu si Dhoma, gjykon se kërkuesi nuk do të kishte mundur të mos e pranonte Kryegjyqtarin në bazë të Nenit 734 të COCP-s (shiko pragrafin 28 lart), përderisa në atë kohë marrëdhënia xhaxha-nip midis avokatit dhe gjykatësit nuk bënte pjesë në listën e arsyeve për kundërshtim. Neni 734 (1) (f) i referohet në mënyrë specifike një kategorie të caktuar marrëdhëniesh familjare (shiko paragrafin 28 lart). Megjithatë, ai përjashtonte vëllezërit e motrat apo kushërinjtë më të largët, të cilët mund të ishin përmendur, në rast se ky do kishte qenë qëllimi i ligjvënësit. Fakti që ligji nuk shprehet për këto marrëdhënie nuk mbështet argumentin se ato mund të hamendësohen si të mbuluara nga dispozita ligjore relevante në mungesë të një praktike gjyqësore specifike për këtë qëllim. As nuk është demonstruar nga Qeveria se Neni 734 (1) (e), dispozitë kjo më e përgjithëshme, do të kishte siguruar bazën ligjore për një zgjidhje juridike. Veç kësaj, në lidhje me këtë Qeveria ka pranuar se nuk ekzistonte asnjë praktikë gjyqësore që të tregonte të kishte qenë ndonjëherë i suksesshëm kundërshtimi në ndonjë rast si ky, në bazë të Nenit 734 (1) (e). Si rrjedhojë, në çështjen në fjalë nuk kishte patur ndonjë pritshmëri të arsyeshme që kërkuesi të ndiqte këtë kurs veprimi.
57. Çka është më e rëndësishme, Gjykata vërejti se pas vendimit të kundërshtuar, Znj. M. e pasuar nga kërkuesi, hapi proces kushtetues në Gjykatën Civile (Salla e Parë) duke pretenduar se i ishte shkelur e drejta për një proces të rregullt gjyqësor, garantuar nga Neni 6 i Konventës, duke patur parasysh mungesën e paanshmërisë së Gjykatës së Apelit dhe pamundësinë e saj për të bërë parashtrimet përpara saj. Kërkuesi, më pas, apeloi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Gjykatës Civile, që hidhte poshtë pretendimin e tij. Gjykata mendon se duke iu drejtuar juridiksioneve të brendshme kushtetuese, të cilat kishin refuzuar kundërshtimin e Qeverisë për mos-shterrim të mjeteve të zakonshme juridike dhe nuk kishin refuzuar pretendimin për arsye procedurale, por e kishin shqyrtuar atë në substancë, kërkuesi ka përdorur normalisht mjetet juridike të aksesueshme për të e që kishin të bënin në substancë me faktet për të cilat ishte ankimuar në nivelin europian (shiko, mutatis mutandis, Zarb Adami (dec.), cituar lart).
58. Fakti i thjeshtë që kërkuesi mund të jetë përpjekur të korrigjojë shkeljen e pretenduar në mënyra alternative përgjatë fazave të ndryshme të procedurave gjyqësore, apo se ka pritur deri në fund të procesit për ta bërë këtë ankesë, siç e lejonte ligji i brendshëm, nuk e ndryshon këtë konkluzion. Sipas jurisprudencës së konsoliduar, kur është ndjekur një mjet juridik, nuk kërkohet ndjekja e një mjeti tjetër juridik i cili ka në thelb të njëjtin objektiv (shiko, inter alia, Kozacıoğlu k. Turqisë [GC], nr. 2334/03, § 40, 19 Shkurt 2009).
59. Si rezultat, kërkesa nuk mund të refuzohet për mos-shterrim të mjeteve juridike të brendëshme dhe, kësisoj, kundështimi i Qeverisë hidhet poshtë.
C. Papajtueshmëria ratione materiae
1. Konkluzionet e Dhomës
60. Duke bërë dallimin midis procedurave të urdhrit ndalues, që rrjedhin nga veprimi ligjor kryesor, dhe procedurave gjyqësore të ankimuara, Dhoma i ka konsideruar këto të fundit si “procedurat pas urdhërit ndalues”, d.m.th, një grup i ri e i ndryshëm procedurash nëpërmjet të cilëve mund të kontestoheshin mangësitë e vendimit për urdhrin ndalues provizor. Si Gjykata e Shkallës së Parë, edhe Gjykata e Apelit kanë shqyrtuar themelin e padisë së Znj. M. e rrjedhimisht kanë marrë vendim për mosmarrëveshjen në lidhje me “të drejtën për t’u dëgjuar” në procedurat e urdhrit ndalues. Kështu, kërkuesi mund të pretendonte mbështetur në shkaqe, të paktën të argumentueshme, se procedurat gjyqësore mbuloheshin nga Neni 6. Veç kësaj, kur kërkuesi ngriti pretendimin për padrejtësi të “procedurave pas urdhërit ndalues”, juridiksioni kushtetues shqyrtoi themelin e ankesës së kërkuesit në lidhje me paanshmërinë e Gjykatës së Apelit dhe, për pasojë, njohu zbatueshmërinë e Nenit 6 në këto procedura gjyqësore. Dhoma kujtoi se sipas vendimit të Gjykatës tek Vilho Eskelinen k. Finlandës ([GC], nr. 63235/00, 19 Prill 2007, § 61) pavarësisht zbatimit autonom nga Gjykata i Nenit 6, zbatueshmëria e tij do të njihej nga Gjykata, në qoftë se kjo ishte njohur më parë nga sistemi i brendshëm: “në qoftë se një sistem i brendshëm pengon aksesin në gjykatë, Gjykata verifikon nëse mosmarrëveshja është vërtetë e tillë që justifikon zbatimin e përjashtimit për garancitë e parashikuara nga Neni 6. Nëse jo, atëherë nuk ka arsye dhe Neni 6 § 1 është i zbatueshëm.” Veç kësaj, koncepti i një “të drejte civile” sipas Nenit 6 § 1 nuk mund të interpretohet i tillë që kufizon një të drejtë të zbatueshme në të drejtën e brendëshme në kuptimin e Nenit 53 të Konventës (shiko Okyay dhe të Tjerë k. Turqisë, no. 36220/97, § 68, ECHR 2005‑VII). Rrjedhimisht, Neni 6 ishte i zbatueshëm për çështjen në fjalë.
2. Parashtrimet e Qeverisë
61. Qeveria parashtroi se, siç provohej nga dokumentet paraqitur para Dhomës së Madhe, ata e kishin kontestuar zbatueshmërinë e Nenit 6 gjatë procedurave gjyqësore të brendëshme, edhe pse jo në parashtrimet fillestare përpara gjykatës së brendëshme. Megjithatë, sipas ligjit vendas, ata nuk ndaloheshin të paraqisnin këtë objeksion në një fazë më të vonshme të procedurave të brendëshme gjyqësore. Për më tepër, arsyja e vetme që gjykata vendase nuk e kishte trajtuar këtë problem ishte sepse ajo kish pranuar objeksionin e tyre paraprak mbështetur në argumentin se çështja ishte e pabazuar dhe irrituese.
62. Procedurat e ankimuara kishin të bënin me pretendimin për shkelje të së drejtës për t’u dëgjuar gjatë procedurave të urdhrit ndalues. Së pari, këto të fundit nuk mbuloheshin nga Neni 6, pasi ishin masa paraprake parandaluese pa bërë asnjë përcaktim në lidhje me themelin e çdo lloj të drejte apo detyrimi të pretenduar. Pavarësisht nëse një pretendues ishte i suksesshëm apo jo në sigurimin e një urdhri ndalues, ai apo ajo mund të ndërmerrnte veprimet e duhura ligjore për parashtrimin e pretendimit të saj apo të tij në lidhje me themelin. Rrjedhimisht, çdo veprim i rrjedhur nga procedurat e urdhrit ndalues nuk përcaktonte, në të njëjtën kohë, edhe të drejtat apo detyrimet. Edhe në rast se, sipas ligjit procedurial, këto procedura gjyqësore duheshin iniciuar me anë të një veprimi ligjor më vete, ato ishin një vazhdimësi e procedurave të urdhrit ndalues, equivalente me një kërkesë kundër urdhrit ndalues, ndaj, në asnjë mënyrë nuk mund të përcaktonin themelin e pretendimit fillestar.
63. Veç kësaj, në ligjin maltez nuk parashikohej e drejta për t’u dëgjuar në procedurat e urdhrit ndalues. Sipas jurisprudencës së brendëshme, në procedurat e urdhrit ndalues, të tilla garanci mund të shmangeshin, duke marrë parasysh kërkesa të veçanta të masave të tilla, si për shembull shpejtësia e veprimit. Fakti që Gjykata Civile (Salla e Parë) ishte shprehur në favor të Znj. M., duke deklaruar se e drejta për t’u dëgjuar ekzistonte në rastet kur për urdhrin ndalues ishte caktuar seancë dëgjimore, nuk ishte i mjaftueshëm për t’i siguruar kërkuesit një pretendim të argumentueshëm dhe për ta bërë Nenin 6 të zbatueshëm për procedurat në fjalë, përderisa kjo gjë nuk ishte përcaktuese për të drejtat civile.
64. E vetmja e drejtë civile që del në të gjitha procedurat gjyqësore për çështjen në fjalë është e drejta për të nderë rrobat jashtë, gjë që ishte pjesa qendrore e themelit të pretendimit fillestar, i cili u vendos përfundimisht në 6 Mars 1992, vendim ky ndaj të cilit nuk u depozitua asnjë kërkesë për apel. Në të vërtetë, siç u deklarua nga Gjykata e Apelit, argumentet mbi të drejtën për t’u dëgjuar në procedurat për urdhrin ndalues mund të ishin parashtruar fare mirë në kohën që bëhej mbrojtja e veprimit substantiv dhe kjo është ajo çfarë kërkon edhe ekonomia e procesit gjyqësor.
65. Në lidhje me interpretimin e Dhomës për Eskelinen dhe Nenin 53 të Konventës, Qeveria ndante të njëjtën pikëpamje me të tre gjykatësit në opinionet e tyre kundërshtuese bashkangjitur vendimit të Dhomës dhe vëzhgimet e palës ndërhyrëse.
3. Parashtrimet e kërkuesit
66. Kërkuesi parashtroi se me t’u nxjerrë urdhri ndalues, ai vazhdonte të ishte i efektshëm deri në përfundim të procesit gjyqësor, përveçse po të ishte revokuar përpara asaj date. Kështu, procedura gjyqësore e urdhrit ndalues nga ku nxirrej mandati për një gjë të tillë, prekte të drejtat civile të palëve, edhe pse në mënyrë provizore, për një periudhë të caktuar kohore. Ndaj, duke marrë në konsideratë efektet e zgjatura që rridhnin nga një mandat i tillë, Neni 6 i Konventës ishte i zbatueshëm, veçanërisht në kontekstin maltez.
67. Megjithatë, procedurat e ankimuara ishin të dallueshme nga procedurat e urdhrit ndalues e, po ashtu, mbuloheshin nga Neni 6. Ato përbënin procedura formale ad hoc nisur me një padi që ishte pasuar nga një kërkesë për apel dhe konkluduar me një vendim të shkallës së parë dhe një vendim të apelit. Në të vërtetë ato ishin regjistruar për seancë dëgjimore përpara një gjykate tjetër e jo përpara gjykatësit që kishte marrë vendimin në lidhje me nxjerrjen e urdhrit ndalues. E drejta civile në diskutim në këto procedura ishte “e drejta për t’u dëgjuar” dhe natyra e çështjes nuk qe e ndryshme nga çdo çështje tjetër përpara gjykatave vendase të zakonshme.
68. Kërkuesi parashtroi se fakti që procedurat fillestare në lidhje me të drejtën për të nderë jashtë rrobat, ishin përfunduar më 6 Mars 1992 nuk e bënte vendimin e ankimuar pa efekt praktik. Në të vërtetë, kishte qenë Z. F. ai që kishte depozituar kërkesën për apel e nuk kishte kërkuar tërheqjen e saj pas përcaktimit të themelit të padisë fillestare, duke rikonfirmuar kështu efektin dhe natyrën më vete të këtij veprimi. Veç kësaj, përderisa Qeveria këtë pretendim nuk e kishte paraqitur në mënyrë korrekte në procedurat e brendëshme gjyqësore e as gjykatat e brendëshme nuk e kishin ngritur një gjë e tillë me kërkesën e këtyre të fundit, Qeveria nuk duhej lejuar të paraqiste tani këtë pretendim, përndryshe ajo do të ishte më e favorizuar se sa kërkuesi të cilit i ishte dashur të shterrojë të gjitha pretendimet e tij përpara gjykatave të brendëshme.
69. Kërkuesi parashtroi se mbështetja tek vendimi Eskelinen për çështjen në fjalë nuk ishte e nevojshme, pasi Neni 6 në çdo rast qe i zbatueshëm për arsyet e mësipërme. Veç kësaj, ai u pajtua me interpretimin e Dhomës për Nenin 53 të Konventës, sipas të cilës mbrojtja e të drejtave të njeriut në çdo fushë përpara Gjykatës nuk mund të ishte me e ulët se sa përpara gjykatave të brendëshme.
4. Parashtrimet e Qeverisë si Palë e Tretë
70. Qeveria e Republikës Çeke parashtroi se Gjykata duhet t’i përmbahet jurisprudencës së saj, sipas të cilës Neni 6 nuk është i zbatueshëm për procedurat gjyqësore në lidhje me masat provizore, pasi bëhet fjalë vetëm për vendime të përkohshme. Ajo parashtroi se masat provizore nuk mund të shiheshin si masa të pavarura, por vetëm brenda kontekstit të çështjes themelore. Sipas rrethanave, mund të pranohej një shmangie nga jurisprudenca e Gjykatës për sa kohë aspekti i përkohshmërisë nuk përbënte më një arsye të vlefshme që “kjo pjesë e procesit” të mos mbulohej nga Neni 6. Rrjedhimisht, Neni 6 mund të ishte i zbatueshëm për masat provizore; megjithatë, shkelje do të kishte vetëm në rastin kur një mangësi në procesin e masave provizore do ta bënte të padrejtë të gjithë procesin. Rrjedhimisht, do të ishte e vështirë të imagjinohej konstatimi i një shkelje, kur çështja kryesore tashmë ishte mbyllur përfundimisht.
71. Veç kësaj, Neni 6 do të ishte i zbatueshëm vetëm me kusht që masa e kërkuar kishte të bënte, edhe pse në mënyrë provizore, me përcaktimin, ekzistencën, qëllimin apo kushtet e detyrimeve dhe të drejtës civile. E njëjta gjë ishte e vërtetë edhe për procedurat ndihmëse ndaj procedurave për masat provizore, megjithëse do të ishte e vështirë të cilësoje një të drejtë proceduriale (siç është e drejta për t’u dëgjuar në rastin në fjalë) si një të drejtë civile.
72. Ata parashtruan më tej se vendimi për Vilho Eskelinen kishte të bënte vetëm me procedura gjyqësore midis punonjësve civilë dhe shtetit në lidhje me aksesin në gjykatë. Veç kësaj, dhënia e mbrojtjes në nivel të brendshëm nuk nënkupton se Neni 6 është i zbatueshëm dhe kontestimi apo jo i zbatueshmërisë në procesin e brendshëm përbënte një faktor irrelevant që nuk duhej konsideruar nga Gjykata.
73. Në lidhje me Nenin 53 të Konventës, Qeveria Çeke parashtroi se kjo dispozitë ishte vendosur për të parandaluar uljen e nivelit të standartit të siguruar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut për shkak të ndonjë të drejte të caktuar të pagarantuar nga Konventa. Ata ritheksuan se asgjë nuk i pengonte gjykatat vendase të shkonin përtej standarteve të vendosura nga Konventa.
5. Vlerësimi i Gjykatës
(a) Parime të përgjithshme
74 Gjykata rithekson se, në mënyrë që Neni 6 § 1, në ekstremin e tij “civil”, të jetë i zbatueshëm, duhet të ketë një mosmarrëveshje (‘kontestim’ në tekstin francez) për një “të drejtë civile” e cila njihet, të paktën për arsye të argumentueshme, nga e drejta e brendëshme, pavarësisht nëse mbrohet edhe nga Konventa. Mosmarrëveshja duhet të jetë e vërtetë dhe serioze; ajo duhet të jetë e lidhur jo vetëm me ekzistencën e një të drejte, por edhe me qëllimin e saj dhe mënyrën si ushtrohet; dhe, përfundimisht, rezultati i procesit duhet të jetë drejtpërsëdrejti vendimtar për të drejtën në fjalë, ndërsa lidhja jo domethënëse apo pasoja distante nuk mjaftojnë për futjen në lojë të Nenit 6 § 1 (shiko, ndër të tjera, Mennitto k. Italisë [GC], nr. 33804/96, § 23, ECHR 2000 X; dhe Gülmez k. Turqisë, nr. 16330/02, § 28, 20 Maj 2008). Karakteri i legjislacionit që rregullon mënyrën e trajtimit të çështjes (civil, tregtar, ligj administrativ, e kështu me radhë) apo autoriteti përkatës, juridiksioni i të cilit e mbulon çështjen në fjalë (gjykatë e zakonshme, organ administrativ, e kështu me rradhë) kanë pak rëndësi (shiko J.S. dhe A.S. k. Polonisë, nr. 40732/98, § 46, 24 Maj 2005).
75. Procedurat paraprake si ato që kanë të bëjnë me dhënien e masave provizore, si në rastin e urdhrit ndalues, normalisht nuk konsiderohen të tilla që përcaktojnë detyrime dhe të drejta civile, ndaj dhe normalisht nuk bien në kuadrin e mbrojtjes së Nenit 6 (shiko, inter alia, Wiot k. Francës, (dec.), nr. 43722/98, 15 Mars 2001; APIS a.s. k. Sllovakisë, (dec.), nr. 39794/98, 13 Janar 2002; Verlagsgruppe News GMBH k Austrisë, (dec.), nr. 62763/00, 16 Janar 2003; dhe Libert k Belgjikës, (dec.), nr. 44734/98, 8 Korrik 2004). Rrezulton se në çështjet për zgjatje të procesit gjyqësor, Gjykata ka zbatuar Nenin 6 vetëm që nga hapja e çështjes për themelin e jo që nga kërkesa paraprake për të tilla masa (shiko Jaffredou k. Francës (dec.), nr. 39843/98,15 Dhjetor 1998, dhe Kress k. Francës [GC], nr. 39594/98, § 90, ECHR 2001‑VI). Megjithatë për çështje të caktuara Gjykata e ka zbatuar Nenin 6 në lidhje me masat provizore, dukshëm për arsyen se ato kanë qenë vendimtare për të drejtat civile të kërkuesit (shiko Aerts k. Belgjikës, 30 Korrik 1998, Reporte 1998‑V, dhe Boca k. Belgjikës, nr. 50615/99, ECHR 2002‑IX). Veç kësaj, ajo është shprehur se duhet bërë përjashtim për parimin e zbatimit të Nenit 6 kur natyra e masës provizore në mënyrë përjashtimore kërkon të veprohet ndryshe, pasi masa e kërkuar ishte drastike, vendimtare në mënyrë të konsiderueshme për masën kryesore e që po të mos përmbysej në apel, do të mund të ndikonte mbi të drejtat ligjore të palëve për një kohë të konsiderueshme (shiko Markass Car Hire Ltd k. Cyprus, (dec.), nr. 51591/99, 23 Tetor 2001).
(b) Klasifikimi i procedurave gjyqësore tek çështja në fjalë
76. Kjo çështje trajton katër nivele procedurash, i) procedura për nxjerrjen e urdhërit ndalues; ii) grupi i procedurave ku është kontestuar drejtësia e urdhërit ndalues (apelimi i të cilit është subjekti i kërkesës përpara Gjykatës); iii) procedurat kryesore në lidhje me pretendimin e Z. F.; dhe iv) grupi i procedurave kushtetuese.
77. Ndryshe nga Dhoma, Dhoma e Madhe gjykon se në shqyrtimin e këtyre procedurave është më e përshtatshme të ndiqet një qasje tërësore. Kërkesa për urdhërin ndalues ishte pranuar si një masë paraprake, e ndjekur nga veprimi ligjor kryesor për themelin e çështjes. Ndërkohë, është filluar një tjetër grup procedurash për të kontestuar drejtësinë e urdhrit të lëshuar. Dhoma e Madhe, ashtu si Qeveria, e konsideron këtë të fundit si analoge me atë çka në juridiksione të tjera do të klasifikohej si apelim i urdhërit ndalues. Nuk është kontestuar që, në kohën e çështjes në fjalë, sistemi ligjor maltez nuk lejonte apelimin e një urdhri të tillë. Megjithatë ishte e mundur të kundërshtoje një urdhër me anë të një procesi ‘të ri’ të mundur në dy nivele juridiksioni, në Gjykatën Civile (Salla e Parë) brenda juridiksionit të saj të zakonshëm dhe Gjykatën e Apelit. Kështu, procedurat e urdhërit ndalues dhe, në vijim, kundërshtimi i ngritur për drejtësinë e tyre nuk mund të shikohen si të ndryshme nga njëra-tjetra. Ato ishin një grup procedurash të lidhura me themelin e çështjes, për të cilat u vendos në kuadrin e veprimit ligjor kryesor. Fakti që ato përfshinin tri nivele juridiksioni nuk do të thotë se duhen konsideruar si diçka e ndryshme nga procedurat tradicionale të urdhrit ndalues. Kështu, Dhoma e Madhe vendimin për zbatueshmërinë e Nenit 6 për këtë çështje do e marrë mbi këtë bazë.
(c) Nëse ka nevojë për një zhvillim të jurisprudencës
78. Gjykata vëren se ekziston një konsenus i gjerë midis shteteve anëtare të Këshillit të Europës, të cilat në mënyrë implicite apo eksplicite sigurojnë zbatueshmërinë e garancive të Nenit 6 në masat provizore, përfshirë procedurat e urdhrit ndalues (siç shpjegohet në paragrafin 31 më sipër). Po ashtu, siç mund të shihet nga jurisprudenca e saj (shiko paragrafin 32 lart), Gjykata e Drejtësisë e Komuniteteve Europiane (“ECJ”) konsideron se masat provizore duhet t’i nënshtrohen garancive për një proces të rregullt gjyqësor, veçanërisht të drejtës për t’u dëgjuar.
79. Përjashtimi i masave provizore nga fushëveprimi i Nenit 6 deri tani është justifikuar me faktin që ato, në parim, nuk përcaktojnë detyrime dhe të drejta civile. Megjithatë, në kushtet kur shumë Shteteve Kontraktuese u duhet të përballen me një akumulim të konsiderueshëm çështjesh për shkak të mbingarkesës së sistemeve të tyre të drejtësisë, gjë që çon në procese të tejzgjatura, vendimi i një gjyqtari për një urdhër ndalues shpesh ndodh që është i barazvlershëm me një vendim për themelin e çështjes për një kohë të konsiderueshme, nganjëherë edhe përgjithmonë. Rrjedhimisht, shumë herë ndodh që procedurat për masa provizore dhe ato në lidhje me veprimin ligjor kryesor vendosin për të njëjtat “detyrime dhe të drejta civile” dhe japin të njëjtat efekte afat-gjata apo edhe të përhershme.
80. Përkundër një sfondi të tillë, Gjykata nuk mendon më se është e justifikueshme t’i cilësosh automatikisht procedurat e urdhrit ndalues si jo përcaktuese për detyrimet dhe të drejtat civile. As nuk është e bindur se një mangësi në këto procedura do të mund të korrigjohej domosdoshmërisht në një fazë të mëvonshme, domethënë në procedurat për themelin e çështjes të realizuara në përputhje me Nenin 6, pasi çdo paragjykim i pësuar ndërkohë më pas mund të jetë bërë i pakthyeshëm e me pak mundësi realiste për riparim të dëmit të shkaktuar, përveç mundësisë mbase të kompensimit financiar.
81. Kështu Gjykata mendon se, për arsyet e mësipërme, ndryshimi i jurisprudencës është i nevojshëm. Ndërkohë që është në interes të sigurisë ligjore, parashikueshmërisë dhe barazisë përpara ligjit që Gjykata të mos i largohet, pa arsye të qëndrueshme, precedentëve të vendosur në çështjet e mëparëshme, dështimi i Gjykatës në ruajtjen e një qasje dinamike dhe evolutive do të përbënte rrezik që ajo të kthehej në një barrierë ndaj reformimit dhe përmirësimit. (shiko, mutatis mutandis, Mamatkulov dhe Askarov k. Turqisë [GC], nos. 46827/99 dhe 46951/99, § 121, ECHR 2005-I, dhe Vilho Eskelinen [GC], cituar sipër, § 56). Nuk duhet harruar që Konventa është hartuar për “të grantuar jo të drejta që janë teorike apo të pazbatueshme, por të drejta që janë praktike dhe efektive” (shiko, inter alia, Folgerø dhe Others k. Norvegjisë [GC], nr. 15472/02, § 100, ECHR 2007‑..., dhe Salduz k. Turqisë [GC], nr. 36391/02, § 51, 27 Nëntor 2008).
82. Në këtë frymë, fakti që vendimet për masa provizore, të cilat vendosin gjithashtu edhe për detyrime apo të drejta civile, nuk mbrohen nga Neni 6 sipas Konventës, kërkon një qasje të re shqyrtimi.
(d) Qasja e re
83. Siç u vu në dukje më parë, Neni 6 në “dimensionin” e tij civil zbatohet vetëm në rastin e procedurave që përcaktojnë të drejta apo detyrime civile. Jo të gjitha masat provizore vendosin për të tilla të drejta e detyrime dhe aplikimi i Nenit 6 do të jetë në varësi të plotësimit të disa kushteve.
84. Së pari, e drejta e rrezikuar, si në procedurat e urdhrit dhe në ato të veprimit ligjor kryesor, duhet të jetë “civile” brenda kuptimit autonom të këtij nocioni sipas Nenit 6 të Konventës (see, inter alia, Stran Greek Refineries dhe Stratis Andreadis k. Greqisë, 9 Dhjetor 1994, § 39, Seria A nr. 301‑B; König k. Gjermanisë, 28 Qershor 1978, §§ 89-90, Seria A nr. 27; Ferrazzini k. Italisë [GC], nr. 44759/98, §§ 24-31, ECHR 2001-VII; dhe Roche k. Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 32555/96, § 119, ECHR 2005‑X).
85. Së dyti, duhet shqyrtuar me kujdes natyra e masës provizore, objektivi dhe qëllimi i saj bashkë me efektet e saj mbi të drejtën në fjalë. Sa herë që një masë provizore mund të konsiderohet me ndikim në përcaktimin e detyrimit apo të drejtës civile në diskutim, pavarësisht periudhës kohore që ajo është në fuqi, Neni 6 do të jetë i zbatueshëm.
86. Megjithatë, Gjykata pranon që në raste të jashtëzakonshme - në rastet, p.sh., kur efektiviteti i masës së kërkuar është në varësi të një procesi vendim-marrës të shpejtë - mund të jetë e pamundur të jesh menjëherë në përputhje me kërkesat e Nenit 6. Prandaj, në të tilla raste specifike, ndërkohë që pavarësia dhe paanshmëria e gjykatës apo gjyqtarit të çështjes për të tilla procedura përbën një garanci të domosdoshme dhe të padiskutueshme, mund të aplikohen edhe garanci të tjera proceduriale për aq sa janë në përputhje me natyrën dhe qëllimin e masës provizore në fjalë. Në çdo proces vijues përpara Gjykatës, i mbetet Qeverisë të provojë se, duke marrë parasysh qëllimin e procedurave të diskutuara në një çështje të caktuar, garanci specifike proceduriale të caktuara nuk mund të zbatoheshin pa paragjykuar në mënyrë të parregullt realizimin e objektivave të synuara nga masa provizore në fjalë.
(e) Zbatueshmëria e Nenit 6 te kjo çështje
87. Gjykata vëren se thelbi i të drejtës së cënuar në procesin kryesor kishte të bënte me përdorimin nga fqinjët të të drejtave të pronës sipas të drejtës malteze, një e drejtë kjo e karakterit civil edhe sipas të drejtës së brendëshme, edhe sipas jurisprudencës së Gjykatës (shiko Ferrazzini k. Italisë [GC], cituar më lart, § 27, dhe Zander k. Suedisë, 25 Nëntor 1993, § 27, Seria A nr. 279‑B). Qëllimi i urdhrit ndalues ishte përcaktimi, edhe pse për një kohë të kufizuar, i një të drejte të njëjtë me atë që ishte kontestuar në procesin kryesor dhe që ishte menjëherë e zbatueshme. Rrjedhimisht, procedura e urdhrit ndalues në çështjen në fjalë e përmbush kriterin që e bën të zbatueshëm Nenin 6 dhe nga Qeveria nuk është përcaktuar asnjë arsye për kufizimin e zbatueshmërisë së tij në çfarëdolloj aspekti. (shiko paragrafin 86 më lart).
88. Gjykata vëren se padia e kërkuesit kishte të bënte me procesin e apelit, i mbyllur me një vendim të datës 5 Shkurt 1993, ndërkohë që themeli i çështjes kryesore ishte vendosur tashmë me vendimin e datës 6 Mars 1992. Për pasojë, Gjykata është e vetëdijshme se, në kohën e vendimit të kontestuar, mosmarrëveshja në fjalë në fakt ishte zgjidhur. Megjithatë në vitin 1990, kur u hap çështja, nuk ishte vendosur ende themeli i pretendimit dhe Neni 6, në parim, sipas asaj që u përcaktua më lart, ishte i zbatueshëm. Gjykata nuk kupton për ç’arsye nuk është dashur të vazhdohej me zbatimin e Nenit 6 për të njëjtat procedura në një fazë të mëvonëshme. Veç kësaj, ajo vëren se vazhdimi i këtyre procedurave nuk ka qenë për ndonjë faj të Znj. M, pasi ka qenë Z. F. personi që ka apeluar.
89. Rrjedhimisht, Neni 6 është i zbatueshëm për procedurat e ankimuara dhe kundërshtimi i Qeverisë duhet hedhur poshtë.
II. PRETENDIMI PËR SHKELJEN E NENIT 6 § 1 TË KONVENTËS
Konkluzioni i Dhomës
90. Dhoma nuk u bind se ekzistonin prova të mjaftueshme për të vërtetuar njëanshmërinë e Kryegjyqtarit në lidhje me çështjen. Megjithatë, ajo konstatoi se lidhjet e ngushta familjare midis avokatit të palës kundërshtuese dhe gjyqtarit mjaftonin për të justifikuar në mënyrë objektive frikën e kërkuesit për mungesën e paanshmërisë së gjyqtarit kryesues dhe se faktet e çështjes në fjalë nuk kontribonin aspak për zhdukjen e shqetësimit të kërkuesit. Ajo, pra, ka konstatuar shkelje të Nenit 6 § 1 (paanshmëria e gjykatës) dhe e gjykoi të panevojshëm shqyrtimin më vete të ankesës në lidhje me parimin e barazisë së mjeteve.
B. Parashtrimet e kërkuesit
91. Kërkuesi ka parashtruar se çështja në fjalë reflekton njëanshmëri, si objektive, edhe subjektive nga ana e Kryegjyqtarit, në kundërshtim me Nenin 6 të Konventës. Kryegjyqtari kishte qenë i njëanshëm për shkak të faktit se vëllai i tij kishte qenë avokati i palës kundërshtuese gjatë procesit të urdhrit ndalues. Njëanshmëria e tij kishte qenë e dukshme në incidentin e 12 tetorit, 1992, që kishte lënë pa fjalë të dy antarët e tjerë të trupit gjykues, si dhe nga vendimi përfundimtar. Vendimi kishte qenë kundër Znj. M. dhe urdhëronte heqjen nga proces-verbali të një raporti të përpiluar nga asistenti gjyqësor, i cili kishte qenë në favor të Znj. M. dhe i referohej veprimeve të avokatit të saj në lidhje me vëllain e Kryegjyqtarit (shiko paragrafin 20 lart). Në të vërtetë, përderisa paanshmëria e një gjyqtari është e prezumuar deri sa të provohet e kundërta, kërkuesi nuk kishte pasur arsye të kërkonte tërheqjen nga gjykimi të Kryegjyqtarit deri sa ndodhën ngjarjet e mësipërme. Megjithatë, Kryegjyqtari duhet ta dinte se duhej ta kishte ngritur vetë çështjen e të vëllait dhe duhej të ishte tërhequr me kërkesë të tij. Veç kësaj, kërkuesi u shpreh se sjellja e Kryegjyqtarit gjatë incidentit dhe lidhjet vëllazërore nuk ishin dy gjëra të ndryshme, por reflektonin dy anë të së njëjtës medalje.
C. Parashtrimet e Qeverisë
92. Qeveria parashtroi se çështja në fjalë nuk kishte evidentuar asnjë lloj problemi në lidhje me paanshmërinë. Në rast se avokati mbrojtës do kishte patur ndonjë shqetësim për njëanshmërinë e pretenduar, ishte e qartë që rruga ligjore për t’u ndjekur ishte të kërkonte tërheqjen e gjyqtarit nga çështja, gjë që ai nuk e kishte bërë. Përkundrazi, avokati mbrojtës kishte pranuar se pas takimit me Kryegjyqtarin në zyrën e tij, incidenti ishte mbyllur. Në të vërtetë kërkuesi pretendimin e tij në nivel të brendshëm për mosdëgjim të rregullt nga gjykata për shkak të mohimit të pretenduar të së drejtës së tij për të bërë parashtrime, nuk e kishte bazuar tek marrëdhëniet familjare të Kryegjyqtarit; kjo lidhje ishte bërë vetëm përpara kësaj Gjykate. Për më tepër, vendimi i Gjykatës së Apelit nuk ka konstatuar asnjë lloj njëanshmëria nga ana e Kryegjyqtarit dhe, edhe sikur ta kishte bërë një gjë të tillë, kjo nuk mund të krijonte probleme ex post facto. Gjykata e Apelit ka qenë e paanshme brenda kuptimit të Nenit 6 § 1 të Konventës, pavarësisht lidhjeve familjare të Kryegjyqtarit me avokatët e kundërshtarit të Znj. M.
D. Vlerësimi i Gjykatës
1. Parime të përgjithshme
93. Paanshmëria, normalisht, nënkupton mungesën e paragjykimit apo të njëanshmërisë dhe ekzistenca apo jo e saj mund të provohet në mënyra të ndryshme. Sipas jurisprudences së vazhdueshme të Gjykatës, ekzistenca e paanshmërisë për qëllimet e Nenit 6 § 1 duhet vendosur përmes një testi subjektiv ku i kushtohet vëmendje bindjeve dhe sjelljes personale të një gjyqtari të caktuar, d.m.th., nëse gjyqtari, në një çështje të caktuar, ka demonstruar paragjykim personal apo njëanshmëri; gjithashtu edhe përmes një testi objektiv, d.m.th., duke vërtetuar nëse gjykata vetë e, ndër të tjera, përbërja e saj ofron garanci të mjaftueshme për të përjashtuar çdo dyshim legjitim në lidhje me paanshmërinë e saj (shiko, inter alia, Fey k. Austrisë, 24 Shkurt 1993, Seria A nr. 255, §§ 27, 28 dhe 30, dhe Wettstein k. Zvicrës, nr. 33958/96, § 42, ECHR 2000-XII).
94. Për sa i takon testit subjektiv, parimi që një gjykatë duhet prezumuar e zhveshur nga çdo paragjykim personal apo anësi, është vendosur që prej shumë kohësh nga jurisprudenca e Gjykatës (shiko, për shembull, Kyprianou k. Qipros [GC], nr. 73797/01, § 119, ECHR 2005‑...). Gjykata është shprehur se paanshmëria personale e një gjykatësi duhet prezumuar deri sa të provohet e kundërta (shiko Wettstein, cituar më lart, § 43). Për sa i takon llojit të provës së kërkuar, Gjykata ka kërkuar, për shembull, të vërtetojë nëse një gjyqtar ka demonstruar armiqësi apo vullnet të keq për arsye personale (shiko De Cubber k. Belgjikës, 26 Tetor 1984, Seria A nr. 86, § 25).
95. Në shumicën e rasteve që evidentojnë çështje të paanshmërisë, Gjykata është përqëndruar tek testi objektiv. Megjithatë, nuk ka një ndarje të përkryer midis paanshmërisë subjektive dhe asaj objektive, përderisa sjellja e një gjyqtari jo vetëm që mund të lerë vend për dyshime objektive në lidhje me paanshmërinë nga këndvështrimi i një vëzhguesi të jashtëm (testi objektiv), por mund të ketë të bëjë edhe me çështje të bindjeve personale të vetë gjyqtarit/es (testi subjektiv) (shiko Kyprianou, cituar më lart, § 119). Kështu, në rastet ku mund të jetë e vështirë të sigurohen prova për të hedhur poshtë prezumimin e paanshmërisë subjektive të gjyqtarit, kërkesa për paanshmëri objektive siguron nje garanci edhe më të rëndësishme (shiko Pullar k. Mbretësrisë së Bashkuar, 10 Qershor 1996, Reporte 1996-III, § 32).
96. Në lidhje me testin objektiv, duhet përcaktuar nëse, pavarësisht nga sjellja e gjyqtarit, ekzistojnë fakte të provueshme që mund të ngrenë dyshime në lidhje me paanshmërinë. Kjo do të thotë që, për të vendosur nëse në një çështje të caktuar ka arsye legjitime për të patur frikë në lidhje me paanshmërinë e një gjyqtari të caktuar apo të një trupi gjykues, qëndrimi i personit në fjalë është i rëndësishëm, por jo vendimtar. Vendimtar është fakti nëse ky shqetësim mund të konsiderohet si objektivisht i justifikuar (shiko Wettstein, cituar më lart, § 44, dhe Ferrantelli dhe Santangelo k. Italisë, 7 Gusht 1996, Reporte 1996-III, § 58).
97. Testi objektiv ka të bëjë kryesisht me lidhjet hierarkike apo të tjera midis gjyqtarit dhe aktorëve të tjerë në procesin gjyqësor (shiko çështjet ushtarake, për shembull, Miller dhe Të Tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar, nos. 45825/99, 45826/99 dhe 45827/99, 26 Tetor 2004; shiko edhe çështjet në lidhje me rolin e dyfishtë të gjyqtarit, për shembull, Mežnarić k. Kroacisë, nr. 71615/01, 15 Korrik 2005, § 36 dhe Wettstein, cituar më lart, § 47, ku avokati që përfaqësonte kundërshtarin e kërkuesit, më pas gjykoi kërkuesin, përkatësisht, në një grup të vetëm procedurash dhe në procedura të mbivendosura) që në mënyrë objektive justifikojnë dyshimet për paanshmërinë e gjykatës duke mos arritur t’i përgjigjen në këtë mënyrë standardeve të Konventës në kuadrin e testit objektiv (shiko Kyprianou, cituar më lart, § 121). Kështu për çdo çështje duhet vendosur nëse marrëdhënia në diskutim është e një natyre dhe niveli të tillë që flet për mungesë paanshmërie nga ana e gjykatës (shiko Pullar, cituar më lart, § 38)
98. Në këtë kuptim, edhe pamja e jashtme mund të jetë deri diku e rëndësishme ose, thënë ndryshe, “drejtësia jo vetëm duhet bërë, por kjo gjë duhet të jetë edhe e dukshme” (shiko De Cubber, cituar më lart, § 26). Ajo çka vihet në rrezik është besimi që gjykatat duhet të frymëzojnë tek publiku në një shoqëri demokratike. Ndaj, çdo gjyqtar, paanshmëria e të cilit ka arsye legjitime të vihet në dyshim, duhet të tërhiqet nga gjykimi (shiko Castillo Algar k. Spanjës, 28 Tetor 1998, Raporte 1998-VIII, § 45).
99. Veç kësaj, në mënyrë që gjykatat të gëzojnë besimin e publikut, gjë që është e domosdoshme, i duhet kushtuar vëmendje edhe çështjes së organizimit të brendshëm (shiko Piersack, cituar më lart, § 30 (d)). Ekzistenca e procedurave kombëtare për sigurimin e paanshmërisë, domethënë rregullat që rregullojnë formalisht tërheqjen e Gjyqtarëve, është një faktor i rëndësishëm. Këto rregullore janë manifestim i shqetësimit të sistemit të brendshëm legjislativ për të hequr çdo lloj dyshimi të arsyeshëm në lidhje me paanshmërinë e gjyqtarit apo gjykatës dhe përbën një përpjekje për të siguruar paanshmërinë, duke zhdukur shkaqet e një shqetësimi të tillë. Përveç sigurimit të mungesës së njëanshmërisë, qëllimi i tyre është të zhdukin çdo pamje njëanshmërie, duke i shërbyer në këtë mënyrë, promovimit të besimit që gjykatat duhet të ngjallin tek publiku në një shoqëri demokratike (shiko Mežnarić, cituar më sipër, § 27). Gjykata i mban parasysh këto rregulla sa herë vlerëson nëse një gjykatë është e paanshme dhe, veçanërisht, nëse dyshimet e kërkuesit mund të konsiderohen si objektivisht të justifikueshme (shiko, mutatis mutandis, Pescador Valero k. Spanjës, nr. 62435/00, §§ 24-29, ECHR 2003-VII).
2. Zbatimi për këtë çështje
100. Gjykata vëren se dispozitat specifike në lidhje me mospranimin e gjyqtarëve përcaktoheshin në nenin 734 të COCP-s (shiko paragrafin 28 sipër). Dhoma e Madhe, ashtu si Dhoma, nuk kishte si të mos vinte re që ligji maltez, në kohën e çështjes në fjalë, kishte mangësi në dy nivele. Së pari, nuk parashikonte detyrimin që një gjyqtar të tërhiqej automatikisht nga gjykimi i një çështje në rastin kur paanshmëria mund të përbënte problem, gjë që mbetet e pandryshuar edhe në ligjin aktual. Së dyti, në kohën e çështjes në fjalë, ligji nuk i njihte si problematike – e kësisoj as si bazë ligjore për kundërshtim – lidhjet vëllazërore midis gjyqtarit dhe avokatit, jo më atë çka rezultonte nga marrëdhënie më pak të afërta si ato mes xhaxha/dajë apo teze/hallë dhe nip apo mbesë. Kështu, Dhoma e Madhe, njëlloj si Dhoma, gjykon se ligji vetë nuk ofronte garanci të mjaftueshme për paanshmëri objektive e subjektive.
101. Gjykata nuk është e bindur se ka të dhëna të mjaftueshme që provojnë se Kryegjyqtari ka manifestuar njëanshmëri personale. Ndaj dhe preferon t’ia nënshtrojë shqyrtimin e çështjes testit të paanshmërisë objektive, i cili siguron garanci të mëtejshme.
102. Për sa i takon testit objektiv, kjo pjesë e ankesës i drejtohet një mangësie në ligjin përkatës, sipas të cilit ishte e pamundur të kundërshtoje caktimin e një gjyqtari nisur nga marrëdhënia e tij me avokatët e një pale, përveç se kur bëhej fjalë për lidhje gjaku apo të afërta të nivelit të parë (shiko paragrafin 28 lart). Rrjedhimisht, në çështjen në fjalë, Znj. M. u përball me një juri prej tre gjyqtarësh, njëri prej të cilëve ishte xhaxhai i avokatit të palës kundërshtare dhe vëllai i avokatit të palës kundërshtare gjatë procesit në shkallën e parë, sjellja e të cilit u gjykua në apel. Dhoma e Madhe është e mendimit se lidhjet e ngushta familjare midis avokatit të palës kundërshtare dhe Kryegjyqtarit ishin të mjaftueshme për të justifikuar frikën se gjyqtarit kryesues i mungonte paanshmëria. Nuk mund të mos vihet re fakti që Malta është një vend i vogël dhe ushtrimi i ligjit si profesion nga familje të tëra përbën një fenomen të njohur. Në të vërtetë, Qeveria gjithashtu ka pranuar se kjo gjë përbënte tashmë një problem të përsëritur që kishte bërë të domosdoshme ndërmarrjen e iniciativave ligjore që kishin çuar në ndryshimin me një amendament të ligjit përkatës, që aktualisht përfshin edhe marrëdheniet vëllazërore si bazë ligjore për tërheqje (shiko paragrafin 29 lart).
103. Konsideratat e mësipërme janë të mjaftueshme për të lejuar Gjykatën të dalë në përfundimin se përbërja e gjykatës nuk ishte e tillë që të garantonte paanshmërinë e saj dhe se ka dështuar në respektimin e standardeve të Konventës sipas testit objektiv.
104. Si rrjedhojë, Neni 6 § 1 të Konventës është shkelur.
105. Me konstatimin e shkeljes së kësaj dispozite, Gjykata mendon se nuk ka nevojë të dalë me vendim më vete në lidhje me ankesën, sipas të cilës sjellja e gjyqtarit ka ndikuar në të drejtën e Znj. M. për paraqitjen e parashtrimeve të saj përpara gjykatës.
III. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
106. Neni 41 i Konventës thotë:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmi
1. Vendimi i Dhomës
107. Dhoma konsideroi se konstatimi i një shkelje përbënte në vetvete shpërblim të drejtë për çdo dëm moral që mund të ketë pësuar kërkuesi.
2. Parashtrimet e palëve
108. Kërkuesi iu përmbajt pretendimit të tij për 5,000 euro (EUR) për dëmin moral të pësuar.
109. Qeveria parashtroi se nuk kishte arsye për rishikimin e konkluzionit të Dhomës.
3. Vendimi i Gjykatës
110. Dhoma e Madhe bie dakord me Dhomën se, në lidhje me shqetësimin që pretendohet të jetë shkaktuar në rrethanat e çështjes në fjalë, konstatimi i shkeljes përbën në vetvete shpërblim të drejtë të mjaftueshëm për çdo dëm moral që mund të ketë pësuar kërkuesi (shiko Chmelíř k. the Republikës Çeke, nr. 64935/01, § 74, ECHR 2005-IV, dhe Coyne k. Mbretërisë së Bashkuar, 24 Shtator 1997, Raporte, § 64).
B. Kostot dhe Shpenzimet
1. Vendimi i Dhomës
111. Dhoma i refuzoi kostot e pretenduara në lidhje me procesin në gjykatën e shkallës së parë dhe në apel, pasi ato nuk ishin bërë për të parandaluar apo korrigjuar shkeljet e konstatuara. Ajo gjithashtu refuzoi shumat e pretenduara për tarifat ligjore profesionale për procesin e brendshëm kushtetues, sepse kërkuesi nuk kishte mundur të provonte mbulimin faktikisht të këtyre kostove. Megjithatë ajo gjykoi se kërkuesi kishte mbular disa kosto, si në nivel të brendshëm, edhe në atë europian, me qëllim korrigjimin e shkeljes së Konventës dhe i akordoi kërkuesit 2,000 Euro për kostot e mbuluara në gjykatat e brendëshme dhe për procesin përpara saj.
2. Parashtrimet e palëve
112. Kërkuesi pretendoi 1,177 Euro për procesin përpara Dhomës, përfshirë 850 Euro për parashtresat me shkrim, 250 Euro për përkthim dokumentesh dhe 77 Euro për kosto administrative, si dhe 2,193 Euro për procesin në Dhomën e Madhe, 850 Euro parashtrime me shkrim, 350 Euro në lidhje me përgatitjen e kërkesës për ndihmë ligjore 300 Euro për përgatitjen e fjalës përpara Dhomës së Madhe, 250 Euro për përkthimin e parashtrimeve të pretendimeve me shkrim, 300 Euro për paraqitjen në seancën me gojë dhe 143 Euro për kosto administrative.
113. Qeveria parashtroi se shuma e pretenduar për procesin përpara Dhomës ishte më e vogël se ajo që ishte akorduar nga Dhoma dhe shuma e pretenduar për procesin përpara Dhomës e Madhe ishte tejet e lartë dhe në shumë zëra kishte faturime dyfishe.
3. Vendimi i Gjykatës
114. Dhoma e Madhe vëren se shuma e akorduar nga Dhoma mbulonte kostot dhe shpenzimet e proceseve në gjykatat e brendëshme dhe ato të procesit për konventën deri tek gjykimi i Dhomës dhe, në përputhje me këtë, konfirmon shumën prej 2,000 Euro të akorduar nga Dhoma.
115. Në lidhje me kostot dhe shpenzimet për procesin përpara Dhomës së Madhe, Gjykata shprehet edhe një herë se, sipas jurisprudencës së Gjykatës, një kërkues ka të drejtën e riimbursimit të kostove dhe shpenzimeve vetëm atëherë kur ato janë kryer faktikisht, kanë qenë të domosdoshme dhe të arsyeshme në vlerë. Në çështjen në fjalë, duke patur parasysh kriterin e mësipërm dhe informacionin në dispozicion, fakti që kërkuesi nuk ka paraqitur prova në mbështetje të pretendimit të tij dhe mungesa e hollësive në lidhje me numrin e orëve të punës dhe tarifën për orë pune, Gjykata nuk është e bindur se të gjitha kostot për procesin përpara Dhomës së Madhe kanë qenë të domosdoshme dhe të arsyeshme në vlerë. Duke marrë parasysh shumën prej 1,854.86 Euro për ndihmën ligjore paguar nga Këshilli i Europës në lidhje me procesin tek Dhoma e Madhe, Gjykata nuk akordon asnjë shumë për këtë zë.
116. Rrjedhimisht, Gjykata konfirmon shumën 2,000 Euro të akorduar nën zërin e kostove dhe shpenzimeve për procesin përpara Dhomës.
C. Interesi i munguar
117. Gjykata e mendon të arsyeshme që masa e interesit të munguar të bazohet në nivelin e huadhënies marxhinale të Bankës Qendrore Evropiane, mbi të cilin do të shtohen tre pikë përqindjeje.
PËR KËTË ARSYE, GJYKATA
1. Hedh poshtë me njëmbëdhjetë vota kundrejt gjashtë, kundërshtimet paraparake të paraqitura nga Qeveria;
2. Vendos me njëmbëdhjetë vota kundrejt gjashtë se ka shkelje të Nenit 6 § 1 të Konventës në lidhje me kërkesën e paanshmërisë;
3. Vendos me unanimitet se nuk është e nevojshme të shqyrtohet veçmas kërkesa e kërkuesit në lidhje me të drejtën e Znj. M. për parashtrime përpara gjykatës;
4. Vendos me njëmbëdhjetë vota kundrejt gjashtë
(a) se Shteti i paditur duhet t’i paguajë kërkuesit, brenda tre muajve, 2,000 Euro (dy mijë euro), plus çdo taksë që mund t’i ngarkohet kërkuesit në lidhje me kostot dhe shpenzimet;
(b) se me përfundimin e afatit tremujor të përmendur më lart deri në zgjidhjen përfundimtare do të paguhet interes i thjeshtë për shumat e specifikuara më lart, i barabartë me nivelin e interesit marxhinal të kreditimit të Bankës Qendrore Evropiane gjatë periudhës së vonesës, plus tre pikë përqindjeje;
5. Hedh poshtë unanimisht pjesën tjetër të pretendimit të kërkuesit për shpërblim të drejtë.
Bërë në anglisht dhe njoftuar në seancë publike në Godinën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, më 15 Tetor 2009.
Michael O’BoyleJean-Paul Costa
Zëvendës RegjistruesPresident
Në përputhje me Nenin 45 § 2 të Konventës dhe Rregullit 74 § 2 të Regullores së Gjykatës, këtij vendimi i bashkangjiten opinionet individuale si më poshtë:
– opinion i përbashkët kundërshtues i Gjyqtarëve Costa, Jungwiert, Kovler dhe Fura;
– opininon pjesërisht kundërshtues i Gjyqtarëve Judges Björgvinsson dhe Malinverni;
– opinion i përbashkët pajtues i Gjyqtarëve Rozakis, Tulkens dhe Kalaydjieva.
Opinionet më vete nuk janë përkthyer, por janë në anglisht dhe/ose frëngjisht, në variant(et) e gjuhës zyrtare të vendimit, që mund t’i gjeni në bazën e të dhënave HUDOC të jurisprudencës së Gjykatës.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim u krye me mbështetje të Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën, e cila nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën Gjykata e ndan atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo-komerciale, me kusht që të citohet titulli i plotë i çështjes, së bashku me të dhënat e mësipërme për të drejtën e autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Për përdorimin e çdo pjese të këtij përkthimi për qëllime komerciale, ju lutemi të kontaktoni në adresën publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012.
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights (/humanrightstrustfund ) or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (/humanrightstrustfund ), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sour réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à de fins commerciales est invitee à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy