© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
SEKSIONI I DYTË
ÇËSHTJA MEHMET ŞENTÜRK DHE BEKİR ŞENTÜRK kundër TURQISË
(Kërkesë no 13423/09)
VENDIM
STRAZBURG
9 prill 2013
Ky vendim do të bëhet përfundimtar në kushtet e përcaktuara në nenin 44 § 2 të Konventës. Ai mund të pësojë përmirësime në formë.
Në çështjen Mehmet Şentürk dhe Bekir Şentürk kundër Turqisë,
Gjykata evropiane e të drejtave të njeriut (seksioni i dytë), që u mblodh në një dhomë të përbërë nga :
Guido Raimondi, kryetar,
Danutė Jočienė,
Peer Lorenzen,
András Sajó,
Işıl Karakaş,
Nebojša Vučinić,
Helen Keller, gjyqtarë,
dhe nga Stanley Naismith, sekretar i seksionit,
Pasi diskutoi në dhomën e këshillit në 19 mars 2013,
Dha vendimin si më poshtë, të miratuar në këtë datë:
PROCEDURA
1. Në origjinë të çështjes është një kërkesë (no 13423/09) e drejtuar kundër Republikës së Turqisë për të cilën dy shtetas të këtij Shteti, zotërinjtë. Mehmet Şentürk dhe Bekir Şentürk (« kërkuesit »), i janë drejtuar Gjykatës në 17 shkurt 2009 në bazë të nenit 34 të Konventës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore (« Konventa »).
2. Kërkuesit, që kanë përfituar nga asistenca gjyqësore janë përfaqësuar nga Zotërinjtë S. Cengiz dhe H. Ç. Akbulut, avokatë në Izmir. Qeveria turke « Qeveria ») është përfaqësuar nga agjenti i saj.
3. Kërkuesit pretendonin në veçanti një shkelje materiale dhe procedurale të nenit 2 të Konventës për shkak të vdekjes së nënës dhe bashkëshortes së tyre si dhe të fëmijës që ajo mbante në bark. Ata thoshin gjithashtu se kishin vuajtur moralisht për këtë vdekje dhe denonconin vuajtjet që kishte pësuar e ndjera gjatë gjithë periudhës ku nuk kishte marrë mjekim (neni 3 i Konventës). Ata ankoheshin gjithashtu për zgjatjen e tepruar të procedurës (neni 6 i Konventës) dhe mungesën e rrugës së ankimit të efektshëm (neni 13). Së fundi, ata përmendin nenin 1 të Protokollit no 1.
4. Në 8 korrik 2010, kërkesa iu transmetua Qeverisë. Duke u bazuar në nenin 29 § 1 të Konventës, u vendos gjithashtu që Gjykata të shprehet në të njëjtën kohë për pranueshmërinë dhe themelin e çështjes.
PËRSHKRIMI I FAKTIT
I. RRETHANAT E RASTIT
5. Kërkuesit kanë lindur respektivisht në vitin 1966 dhe 1993 dhe banojnë në Bayraklı/İzmir.
A. Rrethanat e vdekjes së Menekşe Şentürk
6. Të shtunën në 11 mars 2000, rreth orës 10 :30, Znj. Menekşe Şentürk, bashkëshorte e Mehmet Şentürk (« kërkuesi i parë ») dhe nëna e Bekir Şentürk, atëherë shtatëzënë prej 34 javësh, shkoi e shoqëruar nga i shoqi në spitalin publik Karşıyaka, sepse kishte dhimbje. Aty ajo u ekzaminua nga një mami, G.E., e cila vendosi se Znj. Şentürk nuk ishte ende për të lindur dhe se ishte e panevojshme të thërrisnin mjekun roje që ta ekzaminonte.
7. Kërkuesi i parë atëherë e çoi të shoqen në spitalin publik Nevval Salih Alsancak İşgören të Izmirit, ku mbërritën rreth orës 11 ose 11 : 30. Atje, Znj.Şentürk u ekzaminua nga një mami, A.Y., e cila, pasi konstatoi se bashkëshortja e kërkuesit nuk kishte arritur në fund të shtatzanisë dhe se nuk kishte asnjë komplikacion, nuk e thërriti gjinekologun në shërbim për një ekzaminim.
8. Për shkak të dhimbjeve të vazhdueshme, kërkuesi i parë e shoqëroi të shoqen në qendrën spitalore të arsimit dhe kërkimit Atatürk, ku mbërritën rreth orës 14 :00. Znj. Şentürk u ekzaminua aty nga një stazhier në shërbimin e urgjencës, mjeku F.B., pastaj u transferua në shërbimin e urologjisë ku u ekzaminua nga një urolog, mjeku Ö.Ç. Ky i fundit diagnostikoi një kolikë renale, i dha një recetë me medikamente, vendosi bërjen e një analgjeziku dhe e këshilloi të shkonte përsëri për konsultë pas lindjes.
9. Meqë dhimbjet e së shoqes nuk po qetësoheshin kur u kthyen në shtëpi, kërkuesi i parë e shoqëroi në mbrëmje në të njëjtin spital të fakultetit të mjekësisë të universitetit Ege. Në fillim atë e vizitoi aty një mjek i urgjencës, doktori S.A.A., pastaj e transferuan në shërbimin gjinekologjik dhe obstetrik, ku e mori përsipër një ekip mjekësh të cilët pasi i bënë një ekografi, arritën në përfundimin se fëmija që mbante në bark kishte vdekur dhe ajo duhej të operohej menjëherë që t’ia hiqnin. Atëherë asaj ia bënë të qartë se shtrimi në spital dhe ndërhyrja kirurgjikale ishin me pagesë dhe se fatura shkonte 600 ose 700 milion lira turke që duhej të derdheshin në fondet qarkullues të spitalit. Meqë kërkuesi i parë kishte deklaruar se nuk e kishte shumën e parave që kërkohej, bashkëshortja e tij nuk mund të shtrohej në spital.
Mjeku i urgjencës, doktori S.A.A., organizoi transferimin e bashkëshortes së kërkuesit të parë me ambulancë private drejt spitalit të gjinekologjisë dhe obstetrikës të Izmirit, me një automjet pa personel mjekësor.
10. Znj.Şentürk vdiq rreth orës 23 :00 gjatë transferimit të saj me ambulancë.
B. Hetimi i Ministrisë së Shëndetësisë
11. Nga 26 tetori 2000 deri në 23 nëntor 2000, komisioni hetimor pranë Ministrisë së Shëndetësisë ndërmori një hetim mbi rrethanat e vdekjes, gjatë të cilës dëgjoi kërkuesin e parë, personat që e kishin shoqëruar të ndjerën në spital, anëtarët e personelit mjekësor (mamitë dhe mjekët) e spitaleve të ndryshme ku e ndjera kishte shkuar si dhe shoferin e ambulancës që kishte bërë transferimin drejt spitalit të gjinekologjisë dhe obstetrikës së Izmirit.
12. Më 30 tetor 2000 u mblodhën gjithashtu depozitimet e dy mamive që punonin në qendrën mjekësore të lagjes Karşıyaka ku Menekşe Şentürk ku e kishin ndjekur gjatë shtatzanisë së saj. Nga dëshmitë e tyre del se kjo e fundit u paraqit në 3 mars 2000 për një kontroll gjatë të cilit rrahjet e zemrës së fëmijës nuk u dëgjuan, ndaj mamitë e këshillun të shkonte sa më parë në një qendër që t’i bëhej një ekografi.
13. Në 31 tetor 2000, u mor dëshmia e G.E., mami e spitalit publik Karşıyaka që e kishte vizituar znj. Şentürk. Nga proces- verbali del se këtë herë ajo i kishte dëgjuar të rrahurat e zemrës së fëmijës në momentin kur kishte vizituar nënën, fëmija ishte i gjallë. Ajo saktësoi në këtë drejtim se e kishte dëgjuar zemrën e fëmijës me një doppler, kështu që nuk është e mundur të mos e dëgjosh tingullin meqë ky aparat jep informacione për sa i përket numrit të rrahjeve të zemrës në minutë. Meqë kishte gjykuar se gjendja e Menekşe Şentürk ishte normale, ajo nuk e kishte quajtur të nevojshme të praktikonte një ultratingull as ta vizitonte duke thirrur mjekun jashtë orarit.
14. Në 1 nëntor 2000, u mor dëshmia e A.Y., mami në spitalin publik Nevval Salih Alsancak İşgören, e cila deklaroi veçanërisht se kishte dëgjuar rrahjet e zemrës së fëmijës gjatë vizitës së nënës, se fëmija në këtë moment ishte i gjallë dhe se ngaqë nuk kishte zbuluar asnjë komplikacion, ajo nuk e kishte thirrur gjinekologun e rojës.
15. Në 9 nëntor 2000, u morën dëshmitë e T.K., S.A. dhe Ö.Ö., mjekë në shërbimin gjinekologjik dhe obstetrik të fakultetit të mjekësisë të universitetit Ege, të cilët deklaruan se e kishin informuar kërkuesin e parë për domosdoshmërinë e heqjes së fëmijës me operacion cezarian. Ata e mohuan se i kishin thënë pacientes që duhej të derdhte 600 ose 700 milion lira turke në fondin qarkullues të spitalit dhe deklaruan gjithashtu se nuk e dinin se kush mund ta kishte bërë këtë gjë. Ata pohuan gjithashtu se ia kishin shpjeguar situatën e pacientes mjekut specialist të rojës S.Ö. i cili nuk e kishte vizituar por e kishte parë dhe dispononte të gjithë informacionet lidhur me të. Secili deklaroi përveç kësaj, në mënyrë të veçantë :
« (...) iu shpjegua të shoqit të pacientes se foshnja kishte vdekur dhe se duhej hequr me operacion cezarian. (...) Unë nuk i kam thënë kurrë pacientes se ajo duhej të derdhte 600-700 milion lira turke në arkën e fondit të qarkullimit për këtë operacion (...) Nuk e di kush ia ka thënë këtë. (...) Firma e vendosur në deklaratën [sipas të cilës] shtrimi në spital nuk është pranuar është e pacientes Menekşe Şentürk (...) Unë nuk i kam thënë kurrë pacientes dhe as të afërmit të saj se nëse nuk derdhnin paratë në fondin e qarkullimit (...) ne nuk mund ta operonim (...). Vetë pacientja ka kundërshtuar shtrimin në spital, ka thënë se nuk mund ta paguajë këtë shumë dhe ka nënshkruar dokumentat. I shoqi e ka marrë pacienten duke thënë se nuk mund ta paguante këtë kosto, se nuk pranonte ta shtronte dhe se do ta çonte në maternitetin e Konak-ut (...) Shokët e mi dhe unë, si ekip, ia shpjeguam të (...) shoqit se duhej hequr absolutisht foshnja dhe se nuk duhej ta merrte pacienten, por ne nuk arritëm ta bindnim që të pranonte (...) »
Në dëshminë e marë në të njëjtën ditë, S.Ö., specialist në gjinekologji dhe obstetrikë në spitalin e fakultetit të mjekësisë së universitetit Ege, mjek roje natën e ngjarjes, deklaroi se ishte informuar nga T.K. për gjendjen e pacientes dhe e kishte këshilluar të shtrohej. Ai pohoi gjithashtu se nuk kishte biseduar me të shoqin e pacientes, se nuk i kishte thënë të derdhte paratë në fondin qarkullues dhe se ishte informuar nga ekipi që kishte vizituar pacienten se atë e kishin këshilluar të shtrohej, por i shoqi kishte kundërshtuar.
16. Në 23 nëntor 2000, Një komision ekspertësh mjekësor hartuan një raport me përfundimet e mëposhtme :
« 1. Infermierja G.E. e ka viztuar Menekşe Şentürk dhe ka deklaruar se gjendja e saj nuk kërkonte të thërritej mjeku jashtë orarit. Ndonëse duhej ta bënte këtë gjë, infermierja nuk e ka quajtur të nevojshme. Në raste të tilla, rregulli e do që të gjithë të sëmuret të ekzaminohen nga një mjek specialist sepse infermierja nuk ka nivelin e dijeve [të mjaftueshëm] për të gjykuar rëndësinë e situatës. Për çdo pacient që paraqitet, infermierja duhet të thërrasë specialistin.
2. Mamia dhe infermierja A.Y. nuk kishte nivelin e dijeve të mjaftueshëm për të përcaktuar diagnozën për sa i përket [gjendjes] së pacientes. Do të duhej që ajo të ekzaminohej më parë nga një specialist. Në fakt, për të përcaktuar një diagnozë të saktë, do të duhej që të gjithë pacientët që drejtohen në poliklinikë të ekzaminohen nga një specialist.
Mjeku i rojës në shërbimin e urgjencës, F.B., duhej të thërriste një konsultë KHD[1]. Vetëm mjeku që e ka ekzaminuar pacienten në atë kohë, mund të kishte përcaktuar nëse simptomat e saj shfaqnin atëherë një komplikacion të shtatzanisë.
Mjeku i rojës urolog, Ö.Ç., e ka ekzaminuar pacienten vetëm nga këndvështrimi urologjik. Por, (...) ai duhej të bënte edhe një ekzaminim të përgjithshëm dhe të kërkonte një konsultë KHD. Vetëm mjeku që e ka ekzaminuar pacienten në atë moment mund të kishte përcaktuar nëse simptomat shfaqnin atëherë një komplikacion të shtatzanisë.
3. Për sa u përket simptomave klinike të pacientes, mjekët specialistë të rojës në fakultetin e mjekësisë të universitetit Ege duhej të kishin këmbëngulur për ta shtruar pacienten.
4. Prania e personelit mjekësor në ambulanë nuk do të kishte ndryshuar aspak rezultatin
Duke parë infromacionin e asaj dite, shkaqet e vdekjes nuk mund të përcaktohen me vërtetësi. [Ato mund të përcaktohen] në mënyrë përfundimtare pas autopsisë, përfundimet e së cilës do të lejojnë të përcaktohen përfundimisht përgjegjësitë eventuale për neglizhencë të personelit të sipërpërmendur (...)
Shkaqet e vdekjes : 1. çarje e uterusit. 2. Emboli e mezodermës. 3. çkolitje e placentës. 4. Probabilitet i ulët për pre-eclampsi të agravuar ».
17. Në 24 nëntor 2000, në dritën e këtij raporti të ekspertizës si dhe të dëshmive të palëve të ndryshme të përfshira, kryeinspektori i Ministrisë së Shëndetsisë bëri një raport që dilte në përfundimin se mamitë G.E. dhe A.Y., që punonin përkatësisht në spitalin publik Karşıyaka dhe në spitalin publik Nevval Salih Alsancak İşgören, nuk kishin bërë detyrën sipas funksionit të tyre duke e kthyer pacienten në shtëpi, megjithëse dhimbjet vazhdonin, dhe pa e vizituar më parë nga mjeku i rojës. Ai vlerësoi se mjekët F.B. dhe Ö.Ç., që punonin në qendrën spitalore të arsimit dhe kërkimit Atatürk, nuk kishin bërë detyrat që lidhen me funksionin e tyre sepse nuk kishin kërkuar konsultë me një specialist në gjinekologji dhe obstetrikë dhe as e kishin orientuar pacienten në këtë drejtim. Ky raport hetimor tregoi, nga ana tjetër, se ishte bërë një raport ankimi për sa i përket çështjes së përgjegjësisë së T.K., H.V., S.A. dhe Ö.Ö., mjekë në shërbimin e gjinekologjisë dhe obstetrikës në spitalin e fakultetit të mjekësisë së universitetit Ege, kështu që nuk ishte e nevojshme të shprehej përsëri lidhur me ta. Kryeinspektori arriti në të njëjtin përfundim për sa i përket çështjes së përgjegjësisë së shoqërisë private të ambulancave, e akuzuar, meqë një raport i veçantë ishte përcjellë mbi këtë çështje në Drejtorinë e shëndetit të Izmirit.
Raporti hetimor citon gjthsesi se mjekët T.K., H.V., S.A., dhe Ö.Ö. nuk e kishin kryer detyrën, duke shkaktuar me neglizhencën e tyre, pakujdesinë dhe mungesën e përvojës, vdekjen e Menekşe Şentürk. Së fundi, Komisioni çmoi se doktori S.A.A., i spitalit të fakultetit të mjekësisë së universitetit Ege, nuk kishte bërë asnjë gabim gjatë transferimit të së ndjerës.
Disa konstatime të relatuara në raportin hetimor për sa i përket fakteve që ndodhën në spitalin e fakultetit të mjekësisë të universitetit Ege mund të lexohen kryesisht si më poshtë :
« Pas vizitës në shërbimin e urgjencës (...), Menekşe Şentürk u transferua në shërbimin e obstetrikës(...) Menekşe Şentürk, shtatzënë prej 34 javësh, është vizituar nga ekipi i rojës së shërbimit obsetrik. Në ekografinë e bërë nga ekipi i rojës (...), rrahjet e zemrës së fëmijës nuk u dëgjuan dhe u provua se ai kishte vdekur (...) Të afërmit e pacientes [u informuan] se duhej hequr fëmija për të ruajtur shëndetin e nënës (...) Gjithsesi, pasi familjarët e pacientes kishin deklaruar se nuk kishin mundësi të përballonin shpenzimet e spitalit (...) ekipi i rojës nuk e shtroi pacienten dhe e transferoi atë, në këtë gjendje, në spitalin e gjinekologjisë dhe obstetrikës së Izmirit, , pasi i kishte marë firmën në dokumentin ku ajo nuk pranonte të shtrohej (...) Por, kuptohet se, sipas ligjit, në vend që të ishin marë me procedurat e shpenzimeve pasi ta kishin shtruar [pacienten], ta kishin ekzaminuar e t’i kishin vënë një diagnozë e ta mjekonin, mjekët nuk e kanë bërë detyrën e tyre duke e transferuar pa i dhënë mjekim [ndërkohë që ajo] ishte në një gjendje urgjente me dhimbje të vazhdueshme dhe kanë shkaktuar kështu,vdekjen e saj. ».
Dëshmi të ndryshme janë relatuar në këtë raport hetimor. Disa mund të lexohen pikërisht si më poshtë :
« Dëshmi e Mehmet Şentürk : (...) të shtunën në 11 mars 2000, reth orës 10 e shoqërova bashkëshorten time (...) shtatzënë tetëmuajshe, në shërbimin e urgjencës së spitalit publik Karşıyaka për shkak se ndjente dhimbje të forta. Fqinja jonë N.S. i qëndronte pranë (...) Bashkëshorten time e vizituan në spitalin publik Karşıyaka (...) ata më thanë se s’mund të bënin gjë, se aparati me ultratinguj nuk punonte (...) se do të ishte mirë [ta] çoja në spitalin publik Alsancak (...) E çova bashkëshorten në shërbimin e urgjencës së spitalit publik Alsancak rreth orës 11 :15. Atje shefat e shërbimit të urgjencës (...) më thanë se nuk kishin personel dhe se aparati me ultratinguj nuk punonte (...) Atje, punonjësit në shërbim më thanë [ ta] çoja në një spital tjetër. Për këtë shkak, e çova gruan time në qendrën spitalore të arsimit dhe kërkimit Atatürk Yeşilyurt (...) Ishte afërsisht mesditë kur e shoqërova në shërbimin e obstetrikës (...) Mjeku më tha ta çoja në shërbimin e urologjisë. Ata kërkuan ekzaminime urologjike dhe një USG renale (...) [Bashkëshortja ime] priti tre ose katër orë në një barelë në shërbimin e urgjencës në qendrën spitalore të arsimit dhe kërkimit Atatürk. Dhimbjet u bënë më të forta. Prandaj shkova të flas me shefin e shërbimit të urgjencës. I thashë se gruaja ime ndihej shumë keq dhe i kërkova që një mjek i shërbimit urologjik ta vizitonte (...) mjeku urolog e vizitoi (...) Pasi e vizitoi ai tha: «ka kohë para lindjes, në këtë moment nuk mund të bëjmë gjë, jepini një qetësues në shërbimin e urgjencës dhe merreni më vete » dhe ai dha një recetë (...) I thashë doktorit se gruaja ime ishte tetëmuajshe dhe e pyeta nëse ilaçet ishin të dëmshme apo jo. Ai më tha se nuk duheshin përdorur gjithë kohës por vetëm po t’i shtoheshin dhimbjet (...) I bënë një qetësues, por unë nuk e di çfarë lloji qetësuesi (...) dhimbjet nuk u qetësuan (...) unë e mora[bashkëshorten] në shtëpi (...) ishte afërsisht ora 18 :30 kur e shoqërova për në shtëpi (...) Në mbrëmje, rreth orës 20 :30 pashë se gjendja e bashkëshortes sime po keqësohej dhe, bashkë me Ö.A.G. (...) e çuam në spitalin e universitetit Ege (...) Mjeku që e vizitoi bashkëshorten time (...) më tha se foshnja kishte vdekur (...) Unë i thashë më shpëtoni gruan(...) Mjeku më tha se për t’ia hequr fëmijën me operacion duhej të derdhja 600-700 milion lira në fondin qarkullues (...) Unë iu përgjigja se nuk i kisha këto para në atë moment por ta operonte [gruan], se do t’i nënshkruaja një dokument dhe do ta paguaja.
Mjeku më tha se duhej të derdhja paratë (...) unë e pyeta se ç’duhej të bëja (...) Atëherë ata më thanë ta çoja urgjentisht në maternitetin e Konakut(...) Ne thirrëm një ambulancë (...) atëherë unë pyeta një grua që gjendej aty nëse kishte ndonjë infermiere që do ta shoqëronte [gruan time]. Ajo u përgjigj « ata nuk kanë dërguar infermiere ». (...) Ne u nisëm (...) Arritëm në spitalin e Konakut (...) punonjësit në shërbim më thanë se gruaja ime kishte vdekur (...) Për bashkëshorten time nuk u kujdesën në spitalet ku e çova. Nëse në spitalin publik Karşıyaka, në spitalin publik Alsancak dhe në spitalin universitar dhe të kërkimit Atatürk do të ishte bërë të paktën një ekografi dhe do të më kishin thënë se fëmija kishte vdekur, siç ishte e qartë, unë do të kisha mundur t’i mblidhja paratë për operacion dhe ta kasha shpëtuar gruan time. Unë nuk e dija se bashkëshortja ime ishte vizituar në 3 mars 2000 në qendrën mjekësore Bayraklı dhe se rrahjet e zemrës së fëmijës nuk dëgjoheshin (...) Një apo dy ditë para 3 marsit 2000, ajo më kishte thënë se kishte ndrydhur kavilien në dy shkallët e fundit dhe ishte përplasur te parmaku (...) por se nuk kishte asnjë dhimbje dhe se nuk ishte e nevojshme të shkonte te doktori (...)
Dëshmi e Ö.A.G. : (...) ne e çuam pacienten në shërbimin e urgjencës së spitalit Ege (...). Një nga mjekët më tha se gjendja e saj ishte e rëndë. Ai tha të derdhnim 700 milion lira në fondin e qarkullimit (...) Nuk ia di emrin mjekut. Atëherë ishte afërsisht ora 22 :00. Unë kisha me vete 150 milion lira. I thashë mjekut që kisha kaq para, se mund t’i derdhja dhe pastaj për pjesën tjetër [mund] të nënshkruaja një dokument (...) Ai më tha se kështu nuk funksiononte, se ai nuk mund ta operonte. Unë këmbëngula që ai ta operonte. Ai përsëri kundërshtoi. Atëherë e pyeta se çfarë duhej të bënim.(...) Na tha ta çonim në maternitetin e Konakut. Në të njtën kohë, ata na detyruan të nënshkruanim një dokument që vërtetonte se ne po e nxirrnim pacienten me dëshirën tonë (...)
Dëshmi e Ahmet Y. : (...) Ne e çuam Menekşe Şentürk në spitalin e universitetit Ege rreth orës 21 :00. Ata e pranuan menjëherë në shërbimin e urgjencës. Një mjeke e ekzaminoi (...) ajo na tha se foshnja kishte vdekur (...) Mjekja na tha se duhej hequr fëmija menjëherë me anë të operacionit (...) Mjekja na tha se duhej derdhur shuma rreth 700 million në spital për operacionin. I shoqi i pacientes tha se nuk mund ta derdhte shumën të plotë në çast, por se mund të derdhte një pjesë dhe të nënshkruante një dokument dhe të paguante më vonë. Mjekja i tha të fliste për këtë gjë te arka (vezne). Ata të arkës na thanë se duhej derdhur shuma e plotë. Më pas ne folëm përsëri me mjeken që vizitoi pacienten. I thamë se nuk mundnim t’i derdhnim paratë dhe e pyetëm se çfarë duhe të bënim. Ajo na tha ta çonim menjëherë pacienten në maternitetin e Konakut (...)
Dëshmi e S.A.A. (...) : Menekşe Şentürk u paraqit në 11 mars 2000 në shërbimin e urgjencës dhe ankohej për dhimbje në bark (...) Unë e prita pacienten (...) bëra ekzaminimin (...) e dërgova në shërbimin e gjinekologjisë dhe obstetrikës. Rreth një gjysmë ore më pasi ishte vizituar në shërbimin e obstetrikës, pacientja u kthye përsëri në shërbimin e urgencës (...) Burri i pacientes më tha se mjeku i obstetrikës i kishte thënë se foshnja kishte vdekur (...) dhe se ajo duhej të shtrohej. Unë e pyeta përse ata nuk e kishin shtruar por e kishin kthyer përsëri te urgjenca. I shoqi i pacientes më tha se i kishin kërkuar të paguante (...) dhe meqë ai nuk mund ta paguante atë shumë parash ai donte ta çonte të shoqen në maternitetin e Konakut. Në atë moment ishte shumë i shqetësuar dhe i prekur. Unë i thashë me qetësi se duhej hequr menjëherë foshnja nga barku i nënës, [se ai duhej] ta merrte e ta shtronte menjëherë pacienten (...) [që] ata t’ia hiqnin fëmijën në mos po jeta e nënës mund të vihej në rrezik (...) Megjithëse i fola kështu, burri i pacientes shkroi në skedën e vizitës së pacientes : « Pavarësisht këshillave të mjekëve ne e kemi kundërshtuar shtrimin » dhe e nënshkroi. Unë nuk bëra asnjë presion (...) që ai të shkruante këto fjalë (...) i shoqi i pacientes më tha se mjekët e maternitetit i kishin thënë se duhej të depozitonte, nëse e mbaj mend mirë, shumën 400 million (...)
Dëshmi e M.D. shofer pranë shoqërisë së autoambulancave private (...) Në 11 mars 2000 rreth orës 22 :30 unë e mora pacienten nga shërbimi i obstetrikës dhe e shoqërova në shërbimin e urgjencës. Atje, i thashë kryeinfermieres S.T., të caktonte një infermiere për në autoambulancë. Ajo tha se nuk ishte e mundur. Më vonë, unë i kërkova një infermier për në ambulancë mjekes të shërbimit të urgjencës që po transferonte pacienten. Por edhe ajo më tha se nuk mundej, se foshnja kishte vdekur në barkun e nënës dhe se duhej ta çoja urgjent pacienten në spitalin e Konakut (...) E vendosa pacienten në ambulancë (...) I shoqi i pacientes zuri vend pranë saj (...) Nuk kishte personel mjekësor në ambulancë (...) Para se ta vendosnim në ambulancë, në sy të shërbimit të urgjencës së spitalit Ege (...), pacientja më tha të mos e merrnim (...) Duhej të ishte ora 22 : 40. Kur ne mbërritëm në Konak (...) unë e pashë që pacientja kishte vdekur (...) Siç e kam shpjeguar (...) arsyeja pse nuk kishte personel mjekësor në ambulancën tonë (...) ka të bëjë me faktin se infermierja jonë e shërbimit po merrej me transferimin e një të sëmuri tjetër (...) mjekët dhe një infermiere e spitalit (...) më thanë se pacientja kishte mbërritur e vdekur. Ata më thanë se nuk kishin morg dhe se ne duhej ta mernim e ta çonim në morgun e universitetit (...) »
Sipas dëshmive të dhëna, katër mjekët e spitalit të fakultetit të mjekësisë së universitetit Ege, d.m.th. T.K., S.A., Ö.Ö. dhe S.Ö., mohuan se i kishin thënë kërkuesit ose të ndjerës se ata duhej të derdhnin një shumë parash që të bëhej ndërhyrja kirurgjikale në fjalë.
C. Ndjekjet penale të drejtuara kundër personelit mjekësor
1. Ndjekjet penale kundër mjekëve T.K., H.V., S.A. dhe Ö.Ö.
18. Më 26 shkurt 2001, u hap një hetim për drejtorinë e fakultetit të mjekësisë së universitetit Ege ndaj mjekëve T.K., H.V., S.A., dhe Ö.Ö.
19. Më 10 shtator 2001, ai vendosi se nuk kishte shkak për të ndërmarrë ndjekje penale kundër mjekëve.
20. Më 26 gusht 2002, një komision hetimor i përbërë nga mjekë bëri një raport që vendosi se mjekët në fjalë nuk kishin bërë asnjë faj dhe se për rrjedhojë, nuk ishte nevoja të nisnin ndjekje penale kundër tyre.
21. Më 24 tetor 2002, duke iu referuar nenit 2 të Konventës, nenit 3 të Deklaratës universale të të drejtave të njeriur si dhe nenit 17 të Kushtetutës turke, dispozitave që kanë të bëjnë me të drejtën për jetën, kërkuesi i parë paraqiti një kërkesë për të kundërshtuar këtë vendim. Ai pretendon, ndër të tjera, se komisioni do të duhej të verifikonte legjislacionin në fuqi si dhe praktikën e universitetit Ege për rastet që kërkojnë një shtrim urgjent, kur shpenzimet e shtrimit nuk mund të paguhen.
22. Më 22 janar 2003, Këshilli i Shtetit anuloi përfundimet e raportit hetimor. Ai zbuloi se komisioni nuk kishte shqyrtuar cilat kushte duheshin përmbushur, në institucionet spitalore, për të filluar trajtimin e një pacienti jeta e të cilit është në rrezik dhe gjendja e të cilit kërkon një ndërhyrje mjekësore urgjente. Ai nënvizoi gjithashtu se komisioni nuk kishte kërkuar zgjerimin e hetimit për të futur aty edhe mjekun S.Ö., specialist në gjinekologji dhe obstetrik në spitalin e fakultetit të mjekësisë së universitetit, rojë nate, dhe të përcaktonte përgjegjësitë lidhur me faktet e çështjes. Ai vlerësoi se duheshin plotësuar këto mangësi.
23. Në 23 janar 2004, duke çmuar se nuk ka pasur as neglizhencë as pakujdesi nga ana e mjekëve të akuzuar, komisioni hetimor miratoi një raport që vendosi se nuk është rasti për të vazhduar procedurën. Ai saktësoi se dosja nuk lejonte të përcaktohej se çfarë duhej bërë në situata të urgjencës mjekësore që kërkojnë shtrim në spital, kur shpenzimet e duhura nuk janë shlyer.
24. Në 25 shkurt 2004, duke iu referuar nenit 2 të Konventës, nenit 3 të Deklaratës universale të të drejtave të njeriut si dhe nenit 17 të Kushtetutës që lidhen me të drejtën e jetës, kërkuesi i pari i kundërshtoi përsëri këto përfundime. Ai pretendon sidomos se fakti që nuk S.Ö. nuk përfshihej në procedurën hetimore përbënte një mangësi dhe kërkoi që ai të përfshihej në hetim.
25. Në 14 prill 2004, Këshilli i Shtetit e dërgoi dosjen në rektoratin e universitetit Ege.
26. Në 16 maj 2005, komisioni hetimor miratoi një raport të ri që vendosi përsëri se nuk mund të vazhdohej procedura ngaqë nuk mund të fajësoheshin për neglizhencë ose pakujdesi mjekët e dyshuar T.K., H.V., S.A., Ö.Ö. dhe S.Ö.
27. Në 13 qeshor 2005, kërkuesi i parë iu drejtua Këshillit të Shtetit me një ankim kundër këtyre përfundimeve.
28. Në 27 shtator 2005, Këshilli i Shtetit e pranoi këtë ankim, duke vënë në dukje se ekzistonin prova të mjaftueshme që mjekët e dyshuar t’i kishin kryer faktet e dënueshme. Ai u bazua në raportin e komisionit të lartë të shëndetësisë së hartuar në 20 dhe 21 maj 2004 (paragrafi 45 më pas), sipas të cilit këta mjekë ishin përgjegjës në 4/8-tat për vdekjen e së ndjerës. Ai vendosi, pra, se ata duhej të ishin objekt i ndjekjeve penale dhe ta përcillte dosjen në prokurori.
29. Në 17 nëntor 2005, gjykata penale e Izmirit konstatoi se Këshilli i Shtetit ia kishte përcjellë drejtpërsëdrejti çështjen pa aktakuzën e prokurorisë dhe për rrjedhojë vendosi t’i jepte fund procedurës të ndërmarrë kundër T.K., H.V., S.A., Ö.Ö. dhe S.Ö., meqë hapja e një procesi ndërmerret me lëshimin e një aktakuze.
30. Në 21 prill 2006, prokurori i Republikës së Izmir lëshoi një aktakuzë kundër mjekëve T.K., H.V., S.A. dhe Ö.Ö. dhe kërkon dënimin e tyre për cenim padashje të jetës (neni 455 § 1 i kodit penal).
31. Në 11 shtator 2006, kërkuesi i parë kërkoi të ishte palë ndërhyrëse në proceduë ; kërkesë të cilën gjykata penale e Izmirit e pranoi në të njëjtën ditë.
2. Ndjekjet penale kundër mamisë G.E.
32. Me një vendim të 1 marsit 2001, guvernatori i rrethit Karşıyaka lejoi hapjen e ndjekjes penale kundër mamisë G.E. për neglizhim të detyrave të saj profesionale.
33. Në 25 prill 2001, prokurori i Republikës së Karşıyaka-s e fajësoi maminë për moskryerje të detyrave të saj profesionale (neni 230 § 1 i kodit penal) dhe kërkon dënimin e saj.
34. Në 23 tetor 2001, gjykata penale e Karşıyaka-s e shpalli të pafajshme të akuzuarën për arsye se një tjetër mami ishte gjithashtu në shërbim ditën e fakteve të çështjes, dhe se nuk ishte provuar se e akuzuara e kishte ekzaminuar të ndjerën dhe e kishte dërguar në shtëpi pa thirrur më parë specialistin për ta vizituar. Gjykata shtoi më pas, se edhe sikur e akuzuara të ishte mamia që e kishte ekzaminuar dhe e kishte çuar në shtëpi të ndjerën, moskryerja e detyrës nuk ishte e qëllimshme, kështu që elementet që përbënin shkelje nuk plotësoheshin.
35. Ky vendim u bë përfundimtar në 31 tetor 2001.
36. Në 14 qershor 2005, duke u bazuar mbi përfundimet e raportit të komisionit të lartë mjekësor të Shëndetit sipas të cilave G.E. ishte përgjegjëse në masën 2/8 për vdekjen e bashkëshortes së tij (paragrafi 45 më pas), kërkuesi i parë kërkoi rihapjen e procedurës penale ndaj kësaj mamie.
37. Në 12 tetor 2005, kërkuesi i parë bëri një kërkesë për të ndërhyrë si palë në procedurën e ndërmarrë kundër G.E. fit une demande de constitution de partie intervenante dans la procédure diligentée contre G.E.
38. Në 9 mars 2006, gjykata penale e Karşıyaka-s e pranoi kërkesën për rihapjen e procedurës dhe shprehu bashkimin e saj me çështjen e pagjykuar ende në gjykatën penale të Izmirit (paragrafi 51 dhe në vazhdim më lart). Ajo vendosi gjithashtu të çonte në dhomën penale të Gjykatës së kasacionit çështjen e konfliktit të kompetencës midis dy gjykatave.
39. Në 12 qershor 2006, Gjykata e kasacionit shpalli bashkimin e proceseve në fjalë dhe caktoi gjykatën penale të Karşıyaka-s si gjykatë kompetente për të ndjekur procedurën.
3. Ndjekjet penale kundër A.Y., F.B dhe Ö.Ç.
40. Në 14 mars 2001, guvernatori i Konak-ut autorizoi hapjen e ndjekjeve penale ndaj mamisë A.Y dhe mjekëve F.B dhe Ö.Ç.
41. Në 12 tetor 2001, prokurori i Republiës së Izmirit i fajësoi këta të fundit për moskryerje detyre (neni 230 § 1 i kodit penal) dhe kërkoi dënimin e tyre.
42. Në 12 prill 2002, kërkuesi i parë kërkoi të bëhej palë ndërhyrëse në procesin penal të nisur nga gjykata penale e Izmirit. Në fund të seancës së mbajtur në të njëjtën ditë, gjykata e pranoi kërkesën.
43. Në 13 nëntor 2002, kërkuesi i parë kërkoi zgjerimin e procesit duke kërkuar veçanërisht një ekspertizë mjeko-ligjore me qëllim për të përcaktuar se sa kohë pas vdekjes së fëmijës kishte vdekur e shoqja.
44. Në 24 shkurt 2003, gjykata penale e Izmirit ia përcolli dosjen e çështjes komisionit të lartë të shëndetësisë që ai të shprehej mbi përgjegjësinë e të akuzuarve dhe mbi shkallën e kësaj përgjegjësie.
45. Në 20 dhe 21 maj 2004, komisioni i lartë i shëndetit mori një vendim, ekstratet përkatëse të të cilit thonë kështu :
« Në përfundim të shqyrtimit të dosjes, dokumenteve dhe elementeve e provës, komisioni vendosi :
– se mamitë G.E. dhe A.Y., që nuk e kanë vlerësuar si duhet situatën për sa i përket vizitës së pacientes dhe nuk e kanë thirrur gjinekologun megjithë ankesat e kësaj të fundit, janë përgjegjëse në masën 2/8 ;
– se mjekët Ö.Ç. dhe F.B., që e kanë ekzaminuar të sëmurën vetëm përsa i përket fushës së tyre të ekspertizës ndërkohë që ajo është paraqitur në spital shtatzënë prej 34 javëshe, me tension të lartë dhe duke u ankuar për dhimbje të forta dhe se nuk kanë marrë një obstetër për ta ekzaminuar, janë përgjegjës në masën 3/8 ;
– se mjekët e rojës T.K., H.V., S.A. dhe Ö.Ö., të shërbimit obstetrik të spitalit të fakultetit të mjekësisë së universitetit Ege janë përgjegjës në masën 4/8 për vdekjen e nënës sepse e kanë transferuar këtë të fundit drejt një qendre për persona me sigurime shoqërore, pa asistencë mjekësor, për shkak se ajo nuk kishte para, ndërkohë që gjendje e saj nuk e lejonte një transferim të tillë. »
46. Në 1 shkurt 2005, gjykata mori raportin e komisionit të lartë të shëndetësisë dhe zbuloi se përgjegjësia e të akuzuarve ishte vendosur, por jo mbi bazën e 8/8.
47. Në 14 mars 2005, kërkuesi i parë iu referua raportit të komisionit të lartë të shëndetësisë i cili kishte vendosur se, përveç personave të akuzuar në kuadrin e procedurës në vazhdim, mjekë të tjerë që punonin në spitalin e fakultetit të mjekësisë së universitetit Ege ishin njohur si përgjegjës për vdekjen, dhe kërkoi për rrjedhojë, lëshimin e një aktakuze kundrejt këtyre të fundit.
48. Në përfundim të seancës së 17 marsit 2005, gjykata penale e Izmirit ia përcolli dosjen e çështjes prokurorit të Republikës me qëllim miratimin e një aktakuze shtesë kundrejt të akuzuarve mbi bazën e zbatimit të nenit 455 të kodit penal, ndaj tyre.
49. Në 25 mars 2005, prokurori i Republikës së Izmirit e lëshoi një aktakuzë shtesë për të fajësuar të akuzuarit për cenim të jetës padashje (neni 455 § 1 i kodit penal), dhe kërkoi dënimin e tyre me këtë aktakuzë.
50. Në 4 korrik 2006, kërkuesi i parë i kërkoi gjykatës penale të Izmirit ta mbyllte më shpejt procedurën. Duke iu referuar nenit 6 të Konventës, ai nënvizoi se kohëzgjatja e kësaj procedure e cenonte të drejtën e tij për një proces të drejtë në një afat të arsyeshëm. Ai nënvizoi përveç kësaj se zgjatja e saj rrezikonte të parashkruante padinë dhe të cenonte të drejtën e tij pasurore meqë ai mund të privohej nga çdo mundësi për të marrë një dëmshpërblim moral dhe material.
51. Në 30 janar 2007, gjykata penale e Izmirit vendosi të bashkonte procedurën në vazhdim me atë të nisur kundër mjekëve T.K., H.V., S.A. dhe Ö.Ö. për cenim jo të qëllimshëm të jetës.
4. Procedura penale që rezultoi nga bashkimi i proceseve
52. Në 7 maj 2007, avokati i kërkuesit të parë depozitoi një kërkesë për të qenë palë ndërhyrëse për llogari të të birit të mitur. Ai u ankua gjithashtu për kohëzgjatjen e procedurës duke nënvizuar rrezikun e parashkrimit. Ai bëri gjithashtu një kërkesë për shpërblim-interesa për dëm të shkaktuar klientit të tij për shkak të vdekjes së bashkshortes dhe kërkoi 60 000 lira turke (TRY) për dëmin moral që ka pësuar ky i fundit dhe 50 000 TRY për dëmin moral të pësuar nga i biri, si dhe 30 000 TRY, së bashku, për dëmin material.
53. Në përfundim të seancës së 8 majit 2007, gjykata penale e Karşıyakas vuri në dukje se aktakuza nuk e përmendte emrin e mjekut S.Ö., ndërsa më parë emri i tij ishte shfaqur me ata të të akuzuarve në procedurën e gjykatës penale të Izmirit. Ajo kërkoi, për rrjedhojë, që t’i saktësohej nëse, pas vendimit që kishte ndërprerë procedurën (paragrafi 29 më lart), kishte apo nuk kishte vend për ta vazhduar procedurën ndaj S.Ö, apo bëhej fjalë për një gabim. Ajo shtoi se, në këtë rast të fundit, harresa duhej ndrequr.
54. Në seancën e 27 nëntorit 2007, gjykata penale e Karşıyakas nënvizoi se prokurori ishte përgjegjur se procedura ndaj S.Ö nuk ishte ndërprerë për mungesë arsyeje, por se mund të kishte ndonjë gabim. Gjykata kërkoi miratimin e masave në këtë drejtim.
55. Në 11 shkurt dhe 18 mars 2008 avokati i kërkuesit depozitoi në gjykatën memot për t’u ankuar për kohëzgjatjen e procedurës.
56. Në seancën e 12 shkurtit 2008, gjykata nënvizoi se nisja e ndjekjeve penale kundër S.Ö. nuk ishte e tillë që mund të kishte një impakt mbi procedurën në vazhdim por mund të bënte që të zvarritej dosja. Ajo vendosi, për rrjedhojë, të mos e priste atë.
57. Në 18 mars 2008, gjykata penale i njohu A.Y., Ö.Ç., F.B., T.K., H.V., Ö.Ö. dhe S.A. fajtorë për vrasje pa dashje, dhe i dënoi me dy vjet burg dhe me një gjobë prej 91 TRY. Në zbatim të dispozitave të kodit penal që lidhen me reduktimin e dënimit, ajo e ndryshoi dënimin e A.Y. në një gjobë me 468 TRY ; dënimin e Ö.Ç.dhe të F.B. në një gjobë prej 703 TRY, dhe dënimin e T.K., H.V., S.A. dhe Ö.Ö. në një gjobë prej 937 TRY. Të gjitha dënimet përveç kësaj u shoqëruan me një afat për ekzekutim. Gjykata rrëzoi kërkesën për dënimin e të akuzuarës G.E., duke nënvizuar nënvizonte se, edhe pse raporti i komisionit të lartë të shëndetësisë kishte vendosur përgjegjësinë në masën 2/8, kjo rrethanë nuk përbënte një arsye për rihapjen e procedurës penale ndaj saj sipas nenit 314 të kodit të procedurës penale. Për rrjedhojë ajo konfirmoi pafajësinë e saj të shpallur në përfundim të procedurës së parë penale të ndërmarrë kundër saj.
Arsyetimi i gjykatës penale mund të lexohet si më poshtë në pjesën kryesore të saj :
« (...) nga tërësia e dosjes del : – se Menekşe Şentürk, shtatëzënë tetëmuajshe, është çuar në spitalin publik Karşıyaka të Izmirit nga i shoqi të shtunën 11 mars 2000 për shkak të dhimbjeve të forta ; - se aty ajo është vizituar nga mamia G.E. (...), se mjeku nuk është lajmëruar, se nuk është marrë asnjë masë dhe meqë procesi i lindjes nuk kishte filluar, pacientja nuk është mbajtur aty ;- se më pas ajo është çuar në shërbimin e urgjencës të spitalit publik Alsancak, se aty është ekzaminuar nga mamia A.Y., se ajo nuk është mbajtur aty sepse procesi i lindjes nuk kishte filluar ; – se rreth orës 14 :00, atë e kanë çuar në shërbimin e urgjencës të qendrës spitalore Yeşilyurt Atatürk, se aty është vizituar nga mjeku F.B., se për shkak të dhimbjeve në anën e majtë është dërguar në shërbimin e urologjisë, se aty është vizituar nga mjeku Ö.Ç. që ka vendosur se ajo ka një kolikë renale dhe i ka bërë një analgjezik dhe nuk e ka mbajtur aty ; – se meqë dhimbjet kanë vazhduar pasi [i shoqi ] i pacientes e kishte kthyer në shtëpi, (...) atë e shoqëruan në spitalin e fakultetit të mjekësisë të universitetit Ege, se ajo u transferua nga mjeku i urgjencës (...) në maternitet ; se aty, u konstatua se pacientja ishte shtatëzënë tetëmuajshe por rrahjet e zemrës [së fëmijës] nuk ndiheshin ; se mëgjithëse mjeku e kishte këshilluar ta hiqte foshnjen, shtrimi në spital nuk u pranua, për mungesë të mjeteve financiare; – se pacientja atëherë u transferua në spitalin e gjinekologjisë dhe obstetrikës së Izmirit, por vdiq gjatë rrugës ; – se për shkak të kësaj ngjarjeje [dhe] siç e kishte vërtetuar komisioni i lartë i shëndetësisë, mamitë G.E. dhe A.Y. ishin përgjegjëse në masën de 2/8 , mjekët Ö.Ç. dhe F.B. në masën de 3/8, mjekët T.K., H.V., S.A. dhe Ö.Ö. në masën 4/8 ; – se në këtë rrethanë, këta të akuzuar [duhej] të dënoheshin për shkeljen për të cilën fajësoheshin (...) »
58. Në 21 maj 2008, kërkuesit iu drejtuan gjyaktës së kasacionit. Në memon e tyre, ata nënvizuan se gjykata penale nuk i ishte përgjigjur kërkesës për të qenë palë ndërhyrëse për llogari të birit të kërkuesit as kërkesës për zhdëmtim që ata kishin paraqitur. Ata kontestonin gjithashtu shpalljen të pafajshme të G.E. ndërkohë që përgjegjësia në vdekjen në fjalë ishte provuar, si dhe shndërrimin në gjoba të dënimeve me burgim dhënë të akuzuarve dhe afatin me të cilat këto gjoba shoqëroheshin. Nga ana tjetër, duke iu referuar nenit 2 të Konventës, ata pretendonin një cenim ndaj të drejtës së jetës dhe një mosplotësim nga ana e Shtetit e detyrimeve pozitive dhe çmuan se fakti për kërkuesin e parë dhe të shoqen që kishin qenë të detyruar të shkonin nga një spital në një tjetër përbënte një trajtim që shkonte ndesh me nenin 3 të Konventës, ata u ankuan për kohëzgjatjen e procedurës dhe për mungesën e rrugëve të ankimit që lejojnë t’i jepet fund dëmit që lidhet me to. Së fundi, ata pretendonin se gjykimi i dhënë cenonte të drejtën e tyre të pasurore.
59. Në 21 janar 2009, prokurori i përgjithshëm pranë Gjykatës së kasacionit paraqiti vërejtjet e tij dhe i kërkoi kësaj të fundit të konfirmonte gjykimin në shkallë të parë për sa i përkiste G.E., ta rrëzonte aktgjykimin për sa i përket të akuzuarve të tjerë për parashkrim të shkeljes, dhe t’i japë fund procedurës.
60. Në 7 tetor 2010, Gjykata e kasacionit konfirmoi gjykimin e shkallës së parë për sa i përkiste G.E. Ajo e rrëzoi këtë gjykim për të akuzuarit e tjetë për shkak të parashkrimit të shkeljes të parashikuar në nenet 102 § 4 et 104 § 2 të ligjit penal no 765. Pra, ajo i dha fund procedurës për shkak të parashkrimit sipas nenit 322 të kodit të procedurës penale.
5. Ndjekjet penale të ndërmarra kundër S.Ö.
61. Në 4 janar 2008, duke konstatuar veçanërisht se komisioni i shëndetësisë, në raportin e tij të 20 dhe 21 maj 2004, nuk i kishte përcaktuar përgjegjësitë që i takonin S.Ö., pasi nuk ekzistonin prova të mjaftueshme ndaj tij dhe se faktet për të cilat akuzohej binin brenda fushës së parashkrimit në fuqi për këtë tip shkeljeje, prokurori i Republikës së Izmirit shpalli se nuk kishte shkak për të vazhduar procedurën ndaj tij.
62. Kërkuesi i parë e kundërshtoi këtë vendim.
63. Në 14 janar 2009, kërkesa e tij u hodh poshtë nga Gjykata e krimeve të rënda e Karşıyaka.
II. E DREJTA E BRENDSHME PËRKATËSE
64. E drejta e brendshme përkatëse përshkruhet në çështjen Sevim Güngör kundër Turqisë ((vend.), no 75173/01, 14 prill 2009).
REFERIMI I SË DREJTËS
I. MBI SHKELJEN E PRETENDUAR TË NENIT 2 TË KONVENTËS
65. Kërkuesit pretendojnë një cenim të së drejtës për jetën të bashkëshortes dhe nënës së tyre si dhe të fëmijës që ajo mbante, në shkelje të nenit 2 të Konventës i formoluar kështu :
« 1. E drejta e çdo personi për jetës mbrohet nga ligji .(...) »
66. Qeveria e kundërshton këtë tezë.
A. Mbi pranueshmërinë
67. Gjykata konstatoi se kjo ankesë siç duket nuk është e pathemeltë sipas nenit 35 § 3 a) të Konventës. Gjykata vë në dukje nga ana tjetër se ajo nuk shkon ndesh me asnjë arsye tjetër për mospranim. Pra është mirë të deklarohet e pranueshme.
B. Mbi themelin
1. Argumentet e kërkuesve
a. Mbi pretendimmin për shkelje substanciale të nenit 2 për shkak të vdekjes së Menekşe Şentürk
68. Kërkuesit pohojnë se e ndjera ka humbur jetën për shkak të nglizhencës së rëndë të mjekëve dhe mamive në fjalë. Ata mendojnë se kjo vdekje mund të ishte parandaluar lehtësisht nëse mjekët dhe/ose mamitë do të kishin vepruar në përputhje me përgjegjësitë e tyre dhe me kodin e deontologjisë. Përkundrazi, këta të fundit i kanë neglizhuar rëndë detyrat e tyre. Në këtë drejtim, kërkuesit pretendojnë përveç të tjerash se rrethanat e çështjes nuk duhej të cilësoheshin thjesht si neglizhencë, por si vrasëse.
69. Sipas kërkuesve, e ndjera është transferuar me forcë në meternitetin e spitalit Konak, ndërkohë që mjekët kishin konstatuar se gjendja e saj ishte kritike në spitalin e fakultetit të mjekësisë të universitetit Ege. Kështu, bashkëshortit i kishin thënë ta transferonte të shoqen në një spital tjetër, sepse ai nuk ishte në gjendje të paguante shumën afërsisht prej 1 000 euro (EUR) për operacionin e saj. Duke iu referuar konstatimit të Gjykatës në çështjen Oyal kundër Turqisë (no 4864/05, §§ 53-51, 23 mars 2010), kërkuesit kujtojnë se Shteti ka detyrimin të sigurojë trajtime mjekësore të nevojshme sepse ai administron dhe/ ose kontrollon sistemin e mbrojtjes së shëndetit.
70. Kërkuesit pohojnë gjithashtu se mjekët ishin në dijeni të gjendjes kritike të viktimës. Duke iu referuar çështjes Jasinskis kundër Letonisë (no 45744/08, § 67-68, CEDH 2010‑... (ekstrate), ata pretendojnë se Qeveria do të kishte përgjegjësi për vdekjen në fjalë sepse nuk kishte ofruar trajtimet e nevojshme. Kështu ajo do të kishte shkelur nenin 2 të Konventës në mënyrë substanciale.
b. Mbi pretendimin për shkelje procedurale për shkak të vdekjes së Menekşe Şentürk
71. Kërkuesit pohojnë se Gjykata e kasacionit i dha fund proedurës penale të ndërmarrë kundër të akuzuarve për shkak të parashkrimit kështu që këta të fundit mbetën pa u ndëshkuar, çka do të ilustronte mosefikasitetin dhe karakterin joadekuat të procedurës. Sipas tyre, është e qartë se sistemi i brendshëm siguron mbrojtjen e personelit mjekësor më tepër sesa atë të pacientëve. Ata vënë në dukje se është dashur të pritet viti 2005, d.m.th. pesë vjet pas ngjarjes, që të nisin ndjekjet penale kundër katër mjekëve të fakultetit të mjekësisë së Ege të akuzuar tashmë dhe, kjo në sajë të ndërhyrjes së Këshillit të Shtetit. Komisioni universitar i përbërë nga personeli mjekësor që punon në të njëjtin fakultet të mjekësisë ngurronte me të vërtetë të autorizonte nisjen e ndjekjes penale. Në fakt, ky komision do të kishte bërë çmos t’i blokonte investigimet pa të cilat ndjekjet penale ndaj të akuzuarve nuk do të kishin pasur asnjë vlerë dhe nuk do të ishin bërë.
72. Përveç mosefikasitetit të hetimit penal të drejtuar kundër personelit universitar, dosja kryesore e çështjes ishte transferuar vazhdimisht në shumë gjykata penale. Por, sipas kërkuesve, nuk ka asnjë bazë racionale për këto shtyrje dhe këto përcjellje.
c. Mbi pretendimin për shkelje të nenit 2 të Konventës për shkak të vdekjes së fëmijës para lindjes.
73. Kërkuesit thonë se fëmija që mbante e ndjera vdiq në 11 mars 2000. Ata u refrohen dëshmive të mjekëve dhe mamive të ndryshme që provuan se ai kishte vdekur para lindjes për shkak të një mangësie të sistemit të shëndetësisë për të zbuluar problemet që ai mund të kishte pasur. Sipas tyre, Qeveria mban përgjegjësi për vdekjen e kësij foshnje sepse nuk i ka dhënë nënës, në kohën e duhur, mjekimet e duhura për gjendjen e saj. Ndërkohë që një fëmijë i vdekur para lindjes nuk do të konsiderohej si një person sipas të drejtës penale kombëtare, vende të tjera, pikërisht Shtetet e Bashkuara, do ta konsideronin si person sipas të drejtës së tyre penale.
74. Përsa i përket aspektit procedural të shkeljes së nenit 2 për aktakuzën e fëmijës së vdekur para lindjes, kërkuesit pretendojnë se asnjë hetim nuk u ndërmorr për të përcaktuar kohën e vdekjes. Kërkesat e tyre lidhur me këtë vdekje nuk janë marrë aspak parasysh nga autoritetet e brendshme. Kërkuesit i fajësojnë ata në këtë drejtim se kanë vepruar sikur ky fëmijë nuk ka ekzistuar kurrë. Pra, ata pretendojnë se fëmiija i vdekur para lindjes ka personalitet juridik sipas të drejtës civile, kështu që autoritetet duhej të kishin hapur një hetim dhe ndjekje penale për të përcaktuar momentin e vdekjes dhe shkakun e saj. Për këtë, kërkuesit i referohen çështjeve Calvelli dhe Ciglio kundër Italisë ([GC], no 32967/96, § 49, CEDH 2002‑I), dhe Öneryıldız kundër Turqisë ([GC], no 48939/99, CEDH 2004‑XII).
75. Përveç kësaj, sipas kërkuesve, e drejta penale turke nuk përmban asnjë dispozitë që të lejojë ndjekje penale për shkak të vdekjes së provokuar të një fëmijë ende të palindur, përveç rastit të dështimit të provokuar. Për këtë shkak, lidhur me të drejtën civile, një fëmijë ende i palindur do të gëzonte të drejta qysh kur është në uterusin e nënës me kusht që të lindë i gjallë. Kërkuesit pretendojnë lidhur me këtë se struktura aktuale e të drejtës së brendshme është larg standardeve ndërkombëtare në këtë fushë dhe qasjes së përbashkët të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës.
2. Argumentet e Qeverisë
76. Qeveria pretendon se faktet dhe përgjegjësitë e të gjithë personave të përfshirë në rrethanat e çështjes janë ekzaminuar nga organet gjyqësore kompetente në mënyrë të pavarur, duke u mbështetur në shumë raporte shkencore, në të gjitha nivelet dhe, për rrjedhojë personat përgjegjës do të merrnin dënimet e duhura në pajtueshmëri me dispozitat ligjore në fuqi.
77. Përsa i përket shpenzimeve spitalore, ajo saktëson se të sëmurët që mbërrijnë me urgjencë nuk duhet të derdhin, si parapagim, shpenzime për shtrimin në spital, edhe nëse nuk janë të mbuluar nga sigurimet shoqërore. Ajo shpjegon se me t’iu dhënë mjekimet e domosdoshme, këta të sëmurë duhet të shlyejnë shpenzimet spitalore nëse nuk kanë sigurim shoqëror. Pra, nëse i sëmuri nuk ka as sigurim shoqëror as mjete për të paguar shpenzimet spitalore, sipas Qeverisë ai do të duhej të merrte një vërtetim varfërie nga fondacionet lokale të solidaritetit me qëllim që të përjashtohej nga detyrimi për të paguar shpenzimet spitalore. .
78. Për sa i përket stausit juridik të fëmijës që do të lindte, Qeveria parashtron se sipas nenit 28 të kodit civil personaliteti juridik i jepet fëmijës që lind i gjallë dhe vazhdon të jetojë.
3. Vlerësimi i gjykatës për sa i përket të drejtës për jetën të Menekşe Şentürk
a. Parimet e përgjithshme
79. Gjykata kujton se faza e parë e nenit 2 të Konventës e detyron Shtetin jo vetëm të mos provokojë vdekjen në mënyrë të vullnetshme dhe të paligjshme, por gjithashtu të marrë masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës së personave që varen nga juridiksioni i saj. Këto parime zbatohen gjithashtu në fushën e shëndetit publik (voir, ndër të tjera, Powell kundër Mbretërisë së Bashkuar Royaume-Uni (vend.), no 45305/99, CEDH 2000‑V, dhe Calvelli e Ciglio [GC], i lartpërmendur, § 48). Në fakt, nuk mund të përjashtohet se veprimet dhe mosveprimet e autoriteteve në kuadrin e politikave të shëndetit publik mund, në disa rrethana, të marrin përgjegjësi në aspektin material të nenit 2 (Powell, vendim i lartpërmendur).
80. Sidoqoftë, që nga momenti që një shtet kontraktues ka bërë atë çka duhet për të siguruar një nivel të lartë kompetence te profesionistët e shëndetit dhe për të garantuar mbrojtjen e jetës së pacientëve, nuk mund të pranohet se, çështje të tilla si një gabim në gjykim nga ana e një profesionisti të shëndetit ose një koordinim i keq midis profesionistëve të shëndetit në kuadrin e trajtimit të një pacienti në veçanti, mjaftojnë për ta detyruar Shtetin kontraktues të japë llogari sipas detyrimit pozitiv për të mbrojtur të drejtën për jetën që i takon sipas nenit 2 të Konventës. (ibidem).
81. Duke pranuar këtë, Gjykata kujton gjithashtu se detyrimet pozitive që rëndojnë mbi shtetin sipas neni 2 të Konventës kërkojnë nga ai ngritjen e një kuadri rregullues që i detyron spitalet qoftë private ose publike, të marrin masat e duhura për të siguruar mbrojtjen e jetës së të sëmurëve. Ato nënkuptojnë gjithashtu detyrimin për të krijuar një sistem gjyqësor efikas dhe të pavarur që lejon të provohet vdekja e një individi i cili gjendet nën përgjegjësinë e profesionistëve të shëndetit, si ata që veprojnë në kudrin e sektorit publik ashtu edhe ata që punojnë në strukturat private dhe nëse duhet, t’i detyrojnë këta të fundit të përgjigjen për veprimet e tyre (shih, veçanërisht, Calvelli dhe Ciglio i lartpërmendur § 49).
82. Një kërkesë për gatishmëri dhe zell të arsyeshëm është e nënkuptuar në këtë kontekst. Në fakt, shqyrtimi me afat të shkurtër i çështjeve të tilla është i rëndësishëm për sigurinë e qytetarëve për shërbimet shëndetësore në tërësi (Byrzykowski kundër Polonisë, no 11562/05, § 117, 27 qershor 2006). Detyrimi i Shtetit ndaj nenit 2 të Konventës nuk mund të plotësohet nëse mekanizmat mbrojtës të parashikuar në të drejtën e brendshme nuk ekzistojnë veçse teorikisht : duhet sidomos që ato të funksionojnë efektivisht në praktikë, gjë që nënkupton një shqyrtim të shpejtë të çështjes pa vonesa të kota (Šilih kundër Sllovenisë [GC], no 71463/01, § 195, 9 prill 2009).
83. Nga ana tjetër, edhe nëse Konventa nuk e garanton si të tillë të drejtën për nisjen e ndjekjeve penale kundër të tretëve, Gjykata ka pohuar shumë herë rradhazi se sistemi gjyqësor efikas i kërkuar nga neni 2 mund të përmbajë, dhe në disa rrethana duhet të përmbajë, një mekanizëm ndëshkimi penal (Calvelli dhe Ciglio, i lartpërmendur § 51). Sidoqoftë, nëse cenimi i të drejtës së jetës ose i integritetit fizik nuk është i vullnetshëm, detyrimi pozitiv që rrjedh nga neni 2 për të ngritur një sistem gjyqësor efikas nuk kërkon domosdoshmërisht në të gjitha rastet një ankesë me karakter penal. Në kontekstin specifik të neglizhencave mjekësore, ky detyrim mund të përmbushet gjithashtu, për shembull, nëse sistemi juridik në fjalë u ofron të interesuarve një procedurë ankimi para gjykatave civile, vetëm ose bashkë me një ankim pranë gjykatave penale, me qëllim caktimin e përgjegjësisë së mjekëve të çështjes dhe, nëse duhet, zbatimin e çdo sanksioni civil të përshtashëm, të tillë si derdhja e shumës së zhdëmtim-interesave dhe publikimin e vendimit. Mund të mendohen edhe masa displinore. (ibidem, § 51).
b. Zbatimi i këtyre parimeve në këtë rast
i. Përsa i përket pretendimit për shkeljen e nenit 2 të Konventës në aspektin e tij material.
84. Në këtë rast, kërkuesit nuk pretendojnë se vdekja e Mme Şentürk ishte shkaktuar qëllimisht. Megjithatë ata thonë se faktet që fajësojnë personelin mjekësor në fjalë nuk duhej të cilësoheshin thjesht si neglizhencë, por duhej të konsideroheshin si rrethana përbërëse të një vrasjeje. Nga këndvështrimi i aspektit material të nenit 2, ata pretendojnë se personeli mjekësor nuk i ka kryer detyrat e veta profesionale jo për shkak të neglizhencave të rënda për të cilat akuzohet, por për një mungesë të kujdesit mjekësor ndaj Mme Şentürk, meqë e ndjera dhe bashkëshorti nuk nuk kishin pasur mjetet financiare të nevojshme (paragrafët 68-70 më sipër).
85. Gjykata vëren menjëherë se faktet e denoncuara kështu nga kërkuesit ndryshojnë shumë nga ato fakte që ajo ka pasur rastin të njohë në çështjet e lartpërmendura (paragrafët 79-83 më sipër). Prandaj ajo çmon se, të formuluar në një kontekst ndjeshëm të ndryshëm nga rasti i kësaj çështjeje, kriteret dhe parimet e zhvilluara në jurisprudencën e sipërpërmendur nuk mund të transpozohen, por megjithatë duhet ta orientojnë Gjykatën në vlerësimin e rrethanave të çështjes.
86. Së pari, Gjykata e çmon të nevojshme të kujtojë se interpretimi i dispozitave të së drejtës së brendshme , në këtë rast çështja e cilësimit penal të fakteve të denoncuara, ka të bëjë me kompetencën ekskluzive të gjykatave të brendshme (shih, Prado Bugalla kundër Spanjës (vend.), no 21218/09, 18 tetor 2011). Nga ana tjetër, në rrethanat e kësaj çështjeje, ajo vëren se sjellja e një pjese të personelit mjekësor të paditur nga kërkuesit është cilësuar në të drejtën e brendshme si cenim jo i sqëllimshëm, i jetës, ashtu si përcaktohet në nenin 455 të kodit penal (paragrafët 30, 49 et 57 më sipër).
87. Më pas, Gjykata vëren se neglizhencat mjekësore të njëpasnjëshme viktimë e të cilave ka qenë bashkëshortja dhe nëna e kërkuesve, si dhe paaftësia e disa anëtarëve të personelit mjekësor që e kanë ekzaminuar, kanë qenë relatuar në raportet e hetimit dhe ekspertizës. Ajo konstaton gjithashtu se përgjegjësia e personelit mjekësor të implikuar është përcaktuar qartësisht në këto raporte (paragrafët 16, 17 et 45 më sipër). Po kështu, Këshilli i Shtetit, që shqyrtoi çështjen e autorizimit të ndjekjes penale kundër mjekëve të spitalit të faklutetit të mjekësisë të universitetit Ege, ka vlerësuar se sjellja e këtyre të fundit lidhet me inkriminimin penal dhe ka kërkuar nisjen e ndjekjes penale ndaj tyre (paragrafëte 28 më sipër). Së fundi, përgjegjësia e një pjese të personelit të implikuar në vdekjen e kontestuar është njohur nga gjykata e shkallës së parë (paragrafët 57 më sipër).
88. Lidhur me këtë, Gjykata kujton se një çështje mund të shtrohet në këndvështrimin e nenit 2 të Konventës kur është provuar se autoritetet e një Shteti kontraktues kanë vënë jetën e një personi në rrezik duke i refuzuar atij shërbimet mjekësore për të cilat janë angazhuar t’i sigurojnë për të gjithë popullatën (Qipro kundër Turqisë [GC], no 25781/94, § 219, CEDH 2001‑IV, dhe Nitecki kundër Polonisë (vend.), no 65653/01, 21 mars 2002).
89. Në rrethanat e kësaj çështjeje, Gjykata duhet të zbulojë nëse autoritetet vendase kanë bërë çka mund të pritej prej tyre në mënyrë të arsyeshme dhe në veçanti, nëse e kanë përmbushur, në mënyrë të përgjithshme, detyrimin e tyre për të mbrojtur integritetin fizik të pacientes, sidomos duke ofruar kujdesin mjekësor të nevojshëm. Për të bërë këtë, Gjykata i jep rëndësi kronologjisë së ngjarjeve, ashtu si del nga elementet e dosjes, që çuan në vdekjen tragjike të së ndjerës, si dhe të dhënave mjekësore që lidhen me të. Ajo çmon veçanërisht se duhet bërë një dallim në këtë drejtim midis kujdesit mjekësor që i është ofruar deri kur ka mbërritur në spitalin e fakultetit të mjekësisë së universitetit Ege dhe ngjarjeve që kanë rrjedhur duke filluar që nga mbërritja e saj në këtë spital.
90. Në fakt, hetimi i kryer në planin e brendshëm ka mundësuar të vërtetohet se vdekja e Znj. Şentürk është shkaktuar jo vetëm nga gjykimet e gabuara të profesionistëve të shëndetit – për këtë bëhej fjalë deri në mbërritjen e të ndjerës në spitalin e fakultetit të mjekësisë së universitetit Ege – por gjithashtu për një mungesë të ofrimit të kujdesit mjekësor së ndjerës për shkak të mospagesës paraprakisht të shpenzimeve spitalore (paragrafët 16, 17, 45 më sipër).
91. Në këtë drejtim, Gjykata vëren, duke parë dokumentet e dosjes, dhe në veçanti konstatimet e bëra në 24 nëntor 2000 të relatuara në raportin hetimor të Ministrisë së Shëndetësisë, se është provuar që mjekët e spitalit të fakultetit të mjekësisë së Universitetit Ege kishin shkaktuar vdekjen e pacientes së tyre duke bërë transferimin e saj pa e mjekuar dhe nuk i kishin kryer detyrat e tyre sepse ishin të preokupuar për shlyerjen e shpenzimeve të operacionit (paragrafi 17 më sipër).
92. Po kështu, mjekët roje T.K., H.V., S.A. dhe Ö.Ö., të shërbimit obstetrik të spitalit të fakultetit të mjekësisë së universitetit Ege, janë njohur si përgjegjës në masën 4/8 për vdekjen e bashkëshortes së kërkuesit të parë nga një komision ekspertësh « pasi e kanë transferuar këtë të fundit drejt spitalit për pacientët me sigurime shoqërore pa asistencë mjekësore, me arsyen se ajo nuk kishte para, ndërkohë që gjendja e saj nuk e lejonte një transferim të tillë » (paragrafi 45 më sipër).
93. Gjykata nënvizon, përveç kësaj, pas leximit të arsyetimit të vendimit të gjykatës penale të 18 mars 2008, që ka vendosur bazuar në elementet e dosjes, se kërkuesi i parë dhe e shoqja kishin refuzuar shtrimin në spital që u ishte rekomanduar nga mjekët « për mungesë mjetesh financiare » (paragrafi 57 më sipër).
94. Së fundi, ajo nënvizon konkluzionet e 23 janarit 2004, të komisionit hetimor që shqyrtoi çështjen e rëndësisë së nisjes së ndjekjes penale kundër personelit mjekësor të këtij spitali, konkluzione sipas të cilave dosja nuk lejonte të përcaktohej se çfarë duhej bërë në raste të urgjencës mjekësore që kërkojnë shtrimin në spital, kur shpenzimet përkatëse nuk ishin shlyer (paragrafi 23 më lart).
95. Sipas Qeverisë, mjekimet urgjente praktikohen pa kërkuar pagesë paraprake (paragrafi 77 më sipër). Në këtë drejtim, Gjykata çmon të nevojshme të saktësojë se në këtë çështje nuk i takon aspak të shprehet in abstracto mbi politikën e shëndetit publik të shtetit në fushën e ofrimit te kujdesit mjekësor në kohën e ngjarjes. Në fakt, i mjafton të evidentojë, duke parë konstatimet e kryera nga instancat kombëtare përsa i përket rrethanave të vdekjes së kontestuar, se kujdesi mjekësor i fakultetit të mjekësisë të universitetit Ege ofrohet kundrejt një pagesë paraprake. Kjo pagesë e ka shkurajuar dhe e ka shtyrë pacienten të mos pranojë mjekimin në këtë spital. Sidoqoftë, nga raporti hetimor i 24 nëntorit 2000 (paragrafi 17 më lart) dhe nga dëshmitë e ndryshme të hedhura në dosjen hetimore, veçanërisht ato të S.A. dhe të shoferit të ambulancës që kishte bërë transferimin e së ndjerës (paragrafi 17 më lart), Gjykata çmon se ky mospranim për t’u shtruar aty, nuk mund të konsiderohej në asnjë mënyrë si një veprim i bërë me mendje të kthjellët as si një veprim që mund të çlironte instancat kombëtare nga përgjegjësia përsa i përket kujdesit mjekësor që i duhej dhënë të ndjerës.
96. Në fakt, Gjykata nënvizon se nuk kishte asnjë dyshim përsa i përket gjendjes së rëndë shëndetësore të pacientes në momentin kur mbërriti në këtë spital as përsa i përket domosdoshmërisë së ndërhyrjes kirurgjikale urgjenete mungesa e së cilës do të shkaktonte pasoja jashtëzakonisht të rënda. Pa spekuluar aspak me shanset e mbijetesës së Znj. Şentürk nëse ajo do të ishte mjekuar në spitalin e fakultetit të mjekësisë së universitetit Ege, Gjykata vëren se personeli mjekësor ishte plotësisht i ndërgjegjeshëm se transferimi i pacientes nga një spital në tjetrin përbënte rrezik për jetën e saj (paragrafi 17 më lart). Përveç kësaj, del se dosja e çështjes nuk e ka lejuar komisionin që nuk i ka autorizuar ndjekjet penale kundër këtij personeli, të vlerësojë se çfarë duhej bërë në situata të urgjencës mjekësore kur nuk shlyhen shpenzimet që duhen paguar (paragrafët 23 dhe 94 më lart). E drejta vendase, në këtë drejtim, nuk duket se ka qenë në gjendje të parandalojë në këtë rast mungesën e kujdesit mjekësor që kërkonte gjendja e së ndjerës.
97. Kështu, viktimë e një mosfunksionimi flagrant të shërbimeve spitalore, e ndjera është privuar nga mundësia për të pasur akses si duhet në shërbimet mjekësore urgjente. Ky konstatim i mjafton Gjyktës për të menduar se Shteti nuk e ka plotësuar detyrimin për të mbrojtur integritetin e saj fizik. Për rrjedhojë ajo vendosi se ka shkelje të nenit 2 të Konventës në aspektin e vet material.
ii. Për sa i përket pretendimit për shkelje të nenit 2 të Konventës në aspektin e tij procedural
98. Gjykata nënvizon se ankesat e kërkuesve kanë të bëjnë gjithashtu me faktin se mjekët dhe mamitë e akuzuar dhe të njohur përgjegjës për vdekjen e Znj. Şentürk në shkallë të parë nuk janë dënuar penalisht sepse ndjekjet penale është mbyllur për shkak të parashkrimit (paragrafi 71 më lart). Në këtë drejtim, ajo konstaton, duke parë dokumentet e dosjes, se personat e prezumuar përgjegjës për vdekjen e kontestuar nuk kanë pësuar efektivisht asnjë dënim përfundimtar për shkak të parashkrimit të shkeljes.
99. Duke parë informacionet e dhëna nga palët, Gjykata zbuloi se të interesuarit kanë përdorur vetëm një ankim të brendshëm me natyrë penale për t’u ankuar lidhur me neglizhencën e mjekëve dhe mamive të ngarkuara për të mjekuar të ndjerën. Asaj i takon pra, të shqyrtojë nëse hetimet e bëra nga autoritetet pas ankimit penal të kërkuesve u përgjigjen kërkesave për shpejtësi, efikasitet dhe kujdes të arsyeshëm që burojnë nga aspekti procedural i nenit 2 (për një qasje të ngjashme, Eugenia Lazăr kundër Rumanisë, no 32146/05, § 72, 16 shkurt 2010).
100. Në këtë drejtim, Gjykata nënvizon se faza administrative e autorizimit paraprak të ndjekjeve penale kundër mjekëve T.K., H.V., S.A. dhe Ö.Ö., të implikuar në faktet e kontestuara, ka zgjatur tre vjet para se Këshilli i Shtetit – i përballur me një kundërshtim sistematik të komisionit hetimor të ngarkuar për çështjen –vendosi ta dërgojë çështjen në instancat penale me qëllim që të nisnin procedimet penale (paragrafi 28 më lart). Ajo konstaton më pas se në 7 tetor 2010, janë mbyllur të gjitha ndjekjet penale të ndërmarra kundër personelit mjekësor të akuzuar për shkak të parashkrimit- me përjashtim të rastit kur bëhet fjalë për G.E. shfajësimi i së cilës është konfirmuar -, pas më shumë se nëntë vjet procedure.
101. Por, Gjykata kujton se mund të ndodhë që pengesa ose vështirësi të pengojnë një hetim të përparojë në një situatë të veçantë, megjithatë reagimi i shpejtë i autoriteteve është i rëndësishëm për të ruajtur besimin e publikut dhe mbështetjen e tij për shtetin e të drejtës dhe për të parandaluar çdo shfaqje të tolerancës ndaj akteve të paligjshme ose bashkëpunim në krim (Šilih i lartpërmendur § 196). Në këtë rast, Gjykata mund të konstatojë vetëm se kohëzgjatja e procedurës së kontestuar nuk plotëson aspak kërkesën për një shqyrtim të shpejtë dhe pa vonesa të panevojshme të çështjes (shih, për një përfundim të ngjashëm, Eugenia Lazăr, i lartpërmedur § 75).
102. Gjykata nënvizon, nga ana tjetër, se procesi penal duket se ka qenë karakterizuar nga një mungesë fillestare, d.m.th. nga mosnisja e ndjekjes penale kundër S.Ö. dhe se kjo situatë ka zgjatur deri në vitin 2008, datë në të cilën u shpall ndalimi i ndjekjes penale (paragrafët 24, 53-54 et 61-63 më sipër)
103. Sigurisht, Gjykata ka pasur tashmë rastin të thotë se, në hipotezën e një vdekjeje të shkaktuar për neglizhencë të mjekëve, sistemi juridik turk parashikon, nga njëra anë, një padi penale dhe nga ana tjetër, mundësinë për palën e dëmtuar për të bërë një padi pranë gjykatës civile kompetente si dhe mundësinë e një ndjekje disiplinore në rastin kur përgjegjësia civile do të ishte vendosur. Kështu ajo ka vendosur se sistemi juridik turk u ofron palëve mjete që, në planin teorik i përmbushin kërkesat e aspektit procedural të nenit 2 (Sevim Güngör lartpërmenur, Aliye Pak dhe Habip Pak kundër Turqisë (vend.), no 39855/02, 22 janar 2008 dhe Serap Alhan kundër Turqisë (vend.), no 8163/07, 14 shtator 2010).
104. Në këtë rast ajo nuk sheh asnjë arsye për të vënë në dyshim këto konstatime të cilat mbeten të vlefshme në kontekstin e kësaj çështjeje, përderisa bëhet fjalë për neglizhenca të ndryshme dhe gabime mjekësore viktimë e të cilave ka qenë e ndjera para mbërritjes në spitalin e fakultetit të mjekësisë së universitetit Ege. Sidoqoftë, Gjykata kujton se ka konstatuar, duke parë pikërisht përfundimet e hetimeve të kryera nga autoritetet kombëtare se, në rrethanat e kësaj çështjeje, faji që i është veshur personelit mjekësor të këtij spitali shkonte përtej një gabimi të thjeshtë apo një neglizhence mjekësore në kuptmin që mjekët të cilët punonin aty, duke e njohur mirë gjendjen dhe në shkelje të detyrimeve të tyre profesionale, nuk kanë marrë të gjitha masat për të tentuar mbrojtjen e jetës së pacientes së tyre.
105. Por, ajo nënvizon se mungesa e kriminalizimit dhe e ndjekjeve penale ndaj personave përgjegjës për cenim të jetës mund të shkaktojë një shkelje të nenit 2, pavarësisht nga çdo formë tjetër ankimi të ushtruar me iniciativën e tyre (shih, mutatis mutandis, Öneryıldız, lartcituar § 93 in fine, CEDH 2004‑XII dhe Kalender kundër Turqisë, no 4314/02, § 52, 15 décembre 2009). Ajo çmon se kështu ndodh edhe kur një pacient ndesh një pengesë për të përfituar kujdes mjekësor nga një shërbim spitalor, përderisa del në përfundimin se është vënë në rrezik jeta e të interesuarit.
106. Mbi këtë bazë dhe duke parë konstatimet që kanë të bëjnë me mangësitë e procedurës penale në fjalë (paragrafet 100-102 më sipër), Gjykata vendosi në këtë rast për shkelje të nenit 2 të Konventës në aspektin e vet procedural.
4. Vlerësimi i Gjykatës lidhur me të drejtën për jetën të fetusit
107. Gjykata kujton se, në vendimin e saj Vo c. France ([GC], no 53924/00, § 82, CEDH 2004‑VIII), Dhoma e Madhe ka çmuar se në mungesë të konsensusit evropian për përkufizimin shkencor dhe juridik të fillesave të jetës, pikënisja e të drejtës për jetën varet nga hapësira e vlerësimit që Gjykata mendon përgjithësisht se u duhet njohur shteteve në këtë fushë. Dhoma e Madhe ka çmuar kështu së « nuk është as e dëshirueshme as e mundur aktualisht t’i përgjigjesh në mënyrë abstrakte çështjes nëse një fëmijë që do të lindë është « një person » në kuptimin e nenit 2 të Konventës » (ibidem, § 85).
108. Pra, Dhoma e Madhe ka pasur rastin të riafirmojë rëndësinë e këtij parimi në çështjen A, B dhe C kundër Irlandës ([GC], no 25579/05, § 237, CEDH 2010), në të cilin ajo ka nënvizuar se të drejtat e kërkuara në emër të fetusit dhe ato të nënës së ardhshme janë pazgjidhshëmrisht të lidhur (shih, për këtë, analizën e jurisprudencës që buron nga Konventa paraqitur në paragrafët 75-80 të vendimit Vo si më sipër).
109. Në rrethanat e këtij rasti, Gjykata nuk sheh asjë arsye për t’u larguar nga qasja që është miratuar dhe çmon se nuk është e nevojshme të shqyrtohet pika nëse ankesa e kërkuesve e formuluar për sa i përket fetusit hyn apo jo në fushën e zbatimit të nenit 2 të Konventës. Ajo mendon se në fakt jeta e fetusit në fjalë ishte e lidhur ngushtë me atë të Znj. Şentürk dhe varej nga mjekimet që do t’i jepeshin asaj. Por kjo rrethanë është shqyrtuar në aspektin e cenimit të së drejtës për jetën të së ndjerës (paragrafët 87-97 më sipër). Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se ankesa e kërkuesve në këtë drejtim nuk kërkon një shqyrtim më vete.
II. MBI PRETENDIMIN PËR SHKELJE TË NENEVE 3, 6 DHE 13 TË KONVENTËS DHE TË NENIT 1 TË PROTOKOLLIT No1
110. Duke iu referuara nenit 3 të Konventës, kërkuesit pretendojnë se ata vetë kanë vuajtur moralisht për shkak të vdekjes së bashkëshortes dhe nënës së tyre dhe denoncojnë vuajtjet e pësuara nga e ndjera gjatë gjithë periudhës kur ajo nuk mori mjekimet e duhura.
Nga këndvështrimi i nenit 6 të Konventës, ata ankohen gjithashtu për kohëzgjatjen e tepruar të procedurës dhe për mungesën e arsyetimit të vendimit të shpallur nga gjykata penale. Duke u bazuar në nenin 13 të Konventës, kërkuesit ankohen përveç kësaj, për inefikasitetin e sistemit mjekësor dhe juridik për t’iu përgjigjur ankesave të tilla si kërkesat e tyre. Në këtë drejtim, ata pohojnë se u është dashur të presin pesë vjet para të merrnin autorizimin administrativ për të ndjekur penalisht mjekët e universitetit Ege. Nga ana tjetër, ata pretendojnë mungesën e rrugëve të brendshme të ankimit që lejojnë të arrish zhdëmtimin çka rrjedh nga kohëzgjatja e tepruar e procedurave gjyqësore.
Së fundi, kërkuesit pohojnë se gjykatat penale nuk janë shprehur në shkallë të parë lidhur me kërkesat e tyre për zhdëmtim plus interesa dhe pretendojnë sipas nenit 1 të Prokollit no 1 se parashkrimi i procedurës do t’i privonte nga mundësia për të bërë një padi për zhdëmtim.
111. Duke pasur parasysh këtë konstatim të shkeljes ku ajo ka mbërritur nga këndvështrimi i nenit 2 të Konventës (paragrafët 97 dhe 106 më sipër), Gjykata çmon se ka shqyrtuar çështjen juridike kryesore që shtron kjo kërkesë. Duke pasur parasysh tërësinë e fakteve të çështjes dhe argumentet e palëve, ajo mendon se nuk është më nevoja të vendosë veçmas mbi ankesat e tjera që u referohen neneve 3, 6 dhe 13 të Konventës dhe nenit 1 të Protokollit no 1 (për një qasje të ngjashme, Kamil Uzun kundër Turqisë, no 37410/97, § 64, 10 maj 2007).
III. MBI ZBATIMIN E NENIT 41 TË KONVENTËS
112. Neni 41 i Konventës thotë,
« Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj, dhe nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme,Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.. »
A. Dëmi
113. Kërkuesi i parë, Mehmet Şentürk, kërkon 542,20 euro (EUR) për dëmin material që thotë se ka pësuar dhe paraqet si dëshmi një dokument që llogarit në 1 172,35 lira turke humbjen e ndihmës financiare të shkaktuar nga vdekja e së shoqes. Ai kërkon gjithashtu 100 000 EUR për dëmin moral, ndërsa Bekir Şentürk kërkon, nga ana e tij, 200 000 EUR.
114. Qeveria i kundërshton këto pretendime. Sa për shumën e kërkuar si dëm material, ajo pretendon se nuk është aspak e argumentuar, kështu që sipas saj është e pamundur të kuptohet se ç’kriter konkret është përdorur për të llogaritur humbjen e pretenduar.
115. Gjykata kujton se duhet të ketë aty një lidhje shkakësie të qartë midis dëmit të pretenduar dhe shkeljes së Konventës dhe se shpërblimi i drejtë, kur është i nevojshëm, mund të përfshijë një ndreqje të humbjes së ndihmës financiare (shih mes shumë të tjerash, Kavak kundër Turqisë, no 53489/99, § 109, 6 korrik 2006). Në këtë rast, ajo çmon se (paragrafi 97 më sipër) se autoritetet e brendshme mbajnë përgjegjësi sipas nenit 2 të Konventës pasi nuk kanë mbrojtur jetën Znj. Şentürk. Ajo nënvizon gjithsesi se përllogaritja e paraqitur nga kërkuesi tregon se e ndjera nuk dispononte të ardhura vetjake. Në këto kushte, ajo çmon se pretendimi për dëmin material nuk provohet mjaftueshëm. Pra, ajo hedh poshtë kërkesën e kërkuesit në këtë drejtim.
116. Gjykta mendon se ka vend për t’u dhënë të dy kërkuesve bashkë shumën 65 000 EUR si dëm moral.
B. Kosto dhe shpenzime gjyqësore
117. Kërkuesit kërkojnë gjithashtu 1 931, 25 EUR për kostot dhe shpenzimet që ka bërë për gjykatat e brendshme 11 562, 50 EUR për pagesat si honorare të avokatit për procedurën pranë Gjykatës si dhe 216 EUR për shpenzimet e bëra në Gjyaktë. Ata paraqesin një dëshmi me përllogaritjet e orëve të punës së avokatit të tyre, si dhe faturat.
118. Qeveria i kundërshton këto pretendime.
119. Sipas jurisprudencës të Gjykatës, një kërkues mund të marrë rimbursimin e shpenzimeve dhe pagesave të kryera kur ato shprehin vërtetësinë e tyre, domosdoshmërinë dhe karakterin e arsyeshëm të shumës së paraqitur. Në këtë rast, duke marrë në konsideratë dokumentet që disponon dhe jurisprudencën e saj, Gjykata gjykon të arsyeshme t’u akordojë kërkuesve së bashku, shumën 4 000 EUR, minus 850 euros të marra si asistencë juridike, për procedurën pranë saj.
C. Interesa të vonuara
120. Gjykata e gjykon si të arsyeshme të përllogarisë përqindjen e interesave të vonuara mbi bazën e kursit marxhinal të huadhënieve afatshkurtra të Bankës qëndrore evropiane, përqindja e të cilit rritet me tri pikë.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA UNANIMISHT,
1. Deklaron se kërkesa është e pranueshme përsa i përket ankesës të bazuar në nenin 2 të Konventës lidhur me vdekjen e Menekşe Şentürk ;
2. Thotë se ka pasur shkelje të nenit 2 të Konventës në aspektin e tij material lidhur me vdekjen e Menekşe Şentürk ;
3. Thotë se ka pasur shkelje të nenit 2 të Konventës në aspektin e tij procedural ;
4. Thotë se nuk është nevoja të merren vendime veçmas mbi pjesën tjetër të ankesave ;
5. Thotë
a) se Shteti i paditur duhet të paguajë, brenda tri muajsh duke filluar nga dita kur vendimi bëhet përfundimtar në pajtueshmëri me nenin 44 § 2 të Konventës, shumat e mëposhtme, të konvertuara në lira turke sipas kursit të këmbimit në datën e derdhjes :
i) 65 000 EUR (gjashtëdhjetë e pesë mijë euro), për dëm moral, për të dy kërkuesit së bashku plus shumën që duhet paguar si tatim mbi shumën e dhënë;
ii) 4 000 EUR (katër mijë euro) për të dy kërkuesit së bashku, minus 850 EUR (tetëqind e pesedhjetë euro) që janë marra si asistencë juridike, plus çdo shumë që mund të jetë paguar nga kërkuesit si tatim mbi shumën e dhënë, për shpenzimet e pagesat gjyqësore ;
b) se duke fillua nga skadimi i këtij afati dhe deri në datën e derdhjes, këto shuma do të rriten me përqindje të ulët interesi të barabartë me kursin margjinal të huadhënieve aftashkurtra të Bankës qendrore evropiane që zbatohet në këtë periudhë, përqindjes së të cilës i shtohen tri pikë.
6. Rrëzon kërkesën për shpërblim të drejtë për pjesën e mbetur.
Hartuar në frëngjisht, më pas komunikuar me shkrim në 9 prill 2013, në zbatim të nenit 77 §§ 2 dhe 3 të rregullores.
Stanley NaismithGuido Raimondi
SekretarKryetar
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
[1]. Kadın Hastalıkları ve Doğum (sëmundje grash dhe lindje).
Full & Egal Universal Law Academy