SEKSIONI I KATËRT
ÇËSHTJA METALLA DHE TË TJERË kundër SHQIPËRISË
(Kërkesat nr. 30264/08, 42120/08, 54403/08 dhe 54411/08)
Shërbimi i Përkthimit Zyrtar, Ministria e Drejtësisë, Republika e Shqipërisë
Service des Traductions Officielles du Ministère de la Justice de la République d’Albanie
Republic of Albania, Ministry of Justice, Official Translations Service
VENDIM
STRASBURG
16 korrik 2015
Ky është vendim përfundimtar, por mund t'i nënshtrohet rishikimit redaktorial.
Në çështjen Metalla dhe të tjerë kundër Shqipërisë,
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Katërt), e mbledhur si Komitet (trup gjykues) i përbërë nga:
George Nicolaou, Kryetar,
Krzysztof Wojtyczek,
Yonko Grozev, gjyqtarë,
dhe Fatoş Aracı, Zëvendës Regjistrues i Seksionit,
Pas diskutimit me dyer të mbyllura më 23 qershor 2015,
pas shënimit që çështja ligjore në themel të kërkesave më poshtë është tashmë objekt i praktikës ekzistuese gjyqësore të Gjykatës (shihni Manushaqe Puto dhe të Tjerët kundër Shqipërisë, nr. 604/07, 43628/07, 46684/07 dhe 34770/09, § 31 korrik 2012),
jep vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në datën e treguar më sipër:
PROCEDURA
1. Çështja filloi nga katër kërkesa (nr. 30264/08, 42120/08, 54403/08 dhe 54411/08) kundër Republikës së Shqipërisë të depozituara në Gjykatë sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (“Konventa”) nga nëntë shtetas shqiptarë ndërmjet 13 qershorit 2008 dhe 8 tetorit 2008. Detajet e kërkesave dhe përfaqësuesve janë paraqitur në Shtojcën nr 1 bashkëngjitur vendimit.
2. Qeveria e Shqipëria ("Qeveria") u përfaqësua nga agjentët e saj të asaj kohe, Znj. S.Mëneri e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Znj. E. Hajro e Zyrës së Avokatit së Shtetit dhe rrjedhimisht Znj. L. Mandia e Zyrës së Avokatit të Shtetit.
3. Më 21 janar 2010, kërkesat ju komunikuan Qeverisë.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
A. Kërkesa nr. 30264/08: Metalla
4. Më 9 gusht 1995, Komisioni i Shijakut i njohu kërkuesve titullin e trashëguar për një parcelë toke me sipërfaqe 1020 m2 nga e cila 747 m2 të kthyera. Meqë pjesa e mbetur e sipërfaqes së tokës, 272 m2 ishte e zënë, kërkuesit do të kompesoheshin sipas njërës nga mënyrat e parashikuara me ligj.
5. Vendimi i Komisionit nuk u ekzekutua.
B. Kërkesa nr. 42120/08: Bushati
6. Më 8 shkurt 1995, Komisioni i Shijakut i njohu kërkuesit dhe trashëgimtarëve të tjerë titullin për një ndërtesë dy katëshe dhe një parcelë toke që rrethon ndërtesën me sipërfaqe 500 m2. Meqë parcela e tokës me sipërfaqe 500 m2 ishte e zënë, kërkuesi dhe trashëgimtarët do të kompensoheshin sipas njërës nga mënyrat e parashikuara me ligj. Gjithashtu u vendos që atyre t'ju kthehet shtëpia.
7. Kërkuesi pretendon që në vitin 1995 dhe 1997 filloi procesin ligjor kundër një pale të tretë për lirimin dhe kthimin e pronës së tij. Megjithatë, ai vendosi të ndërpresë veprimet, duke pasur parasysh proceset gjyqësore të mbetura pezull në qytete të tjera. Pretendohet që pala e tretë ka ndërtuar pa leje në tokën e kërkuesit.
8. Vendimi i Komisionit nuk u ekzekutua.
C. Kërkesa nr. 54403/08: Metalla dhe të tjerë
9. Më 9 gusht 1995, Komisioni i Shijakut i njohu kërkuesve titullin e trashëguar për një parcelë toke me sipërfaqe 5.527 m2 nga e cila 5.000 m2 të kthyera. Meqë pjesa e mbetur e sipërfaqes së tokës, 527 m2 ishte e zënë, kërkuesit do të kompesoheshin sipas njërës nga mënyrat e parashikuara me ligj.
10. Vendimi i Komisionit nuk u ekzekutua.
D. Kërkesa nr. 54411/08: Metalla dhe të tjerë
11. Më 13 gusht 2007, Komisioni i Durrësit i njohu kërkuesve titullin e trashëguar për një parcelë toke me sipërfaqe 65.000 m2 nga e cila 60.000 m2 të kthyera. Meqë pjesa e mbetur e sipërfaqes prej 5,000 m2 ishte tokë bujqësore, rrugë dhe kanale ("e llojit arë, rrugë dhe kanale") të zëna, kërkuesit do të kompensoheshin sipas njërës nga mënyrat e parashikuara me ligj.
12. Vendimi i Komisionit nuk u ekzekutua.
II. PRAKTIKA DHE LEGJISLACIONI PËRKATËS I BRENDSHËM
13. Praktika dhe legjislacioni përkatës i brendshëm janë përshkruar me hollësi, inter alia, në çështjen Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë (nr. 604/07, 43628/07, 46684/07 dhe 34770/09, §§ 23-53, 31 korrik 2012) dhe Ramadhi kundër Shqipërisë (nr. 38222/02, 13 nëntor 2007).
14. Më 6 mars 2013 dhe 30 korrik 2014, Qeveria miratoi dhe nxori hartat e reja të vlerësimit të pronës, që përfshijnë çmimin referencë për metër katror në mbarë vendin (vendime të Këshillit të Ministrave ("VKM") nr. 187 të 6 marsit 2013 dhe 514 të 30 korrikut 2014).
III. MATERIAL I KËSHILLIT TË EUROPËS
15. Në vijimësi të ngjarjeve të përshkruara në Karagjozi dhe të tjerë kundër Shqipërisë [Komiteti], nr. 25408/06, 37419/06, 49121/06, 1504/07, 19772/07, 46685/07, 49411/07, 27242/08, 61912/08 dhe 15075/09, §§ 36-38, 8 prill 2014, Komiteti i Ministrave më 6 mars 2014 mori një vendim për ekzekutimin e vendimeve në lidhje me mosekzekutimin nga autoritetet shqiptare të vendimeve të brendshme gjyqësore dhe administrative të formës së prerë që parashikonin kompensim sipas njërës nga mënyra e parashikuara me ligj për kërkuesit në vend të kthimit fizik të parcelave të tokave të tyre. Vendimi, i cili u miratua në takimin e 1193të në lidhje me këtë lexon si më poshtë:
"Zëvendësit
(...)
2. morën parasysh veprimet e ndërmarra që në shtator 2013 dhe masat nxitëse të parashikuara në javët dhe muajt e ardhshëm; megjithatë, me keqardhje që afati i caktuar në vendimin pilot nuk do të plotësohet, ata theksuan që për të përmbushur detyrimet e vëna nga Gjykata Europiane dhe për të prezantuar mekanizmin e kërkuar të kompensimit pa vonesë dhe brenda afatit kohor të propozuar në plan veprim, angazhimi politik i shprehur në plan veprim duhet të ndiqet nga masa konkrete dhe thelbësore në nivel vendor, sidomos në fushat e identifikuara nga Komiteti në Rezolutën e tij të Ndërmjetme CM/ResDH(2013)115;
(...)"
16. Vendimi i Komitetit të Ministrave i 5 qershorit 2014 për ekzekutimin e vendimeve në lidhje me mosekzekutimin nga autoritetet shqiptare të vendimeve të brendshme gjyqësore dhe administrative të formës së prerë që parashikonin kompensim sipas njërës nga mënyra e parashikuara me ligj për kërkuesit në vend të kthimit fizik të parcelave të tokave të tyre, i cili u miratua në takimin e tij të 1201të, në lidhje me këtë, lexon si më poshtë:
"Zëvendësit
1. përshëndesin miratimin formal nga Këshilli i Ministrave të Shqipërisë të planit të veprimit për krijimin e një mekanizmi kompensimi efektiv, duke e bërë në këtë mënyrë planin e veprimit të detyrueshëm dhe vërejnë me kënaqësi që masat e parashikuara po merren në përputhje me parashikimet e atij plani;
2. nisur nga afati i përgjithshëm i parashikuar për zbatimin e këtij mekanizmi, ato inkurajojnë fuqishëm autoritetet që të intensifikojnë përpjekjet e tyre me qëllim shkurtimin e afatit kohor sa më shumë që të jetë e mundur;
(...)"
17. Vendimi i Komitetit të Ministrave i 11 qershorit 2015, i cili u miratua në takimin e 1230të në lidhje me këtë lexon si më poshtë:
"Zëvendësit
1. mirëpresin angazhimin e treguar nga autoritetet shqiptare në kërkim të një zgjidhjeje të efektshme dhe të qëndrueshme për problemin e rëndësishëm strukturor në diskutim në këtë grup çështjes; përshëndesin në këtë drejtim prezantimin prej tyre të projekt ligjit dhe bashkëpunimin e tyre me Këshillin e Europës, si edhe konsultimet e ngushta të zhvilluara me Departamentin e Ekzekutimit, sidomos në Tiranë më 23 prill 2015;
2. vërejnë që, siç kërkohet nga Komiteti i Ministrave dhe nga vendimi pilot Manushaqe Puto, autoritetet kanë bërë një rishikim të kujdesshëm të të gjitha implikimeve ligjore dhe financiare dhe kanë vlerësuar koston e përgjithshme të kompensimit për të patur bazë konkrete për të marrë parasysh ndryshimet e nevojshme të legjislacionit;
3. ftojnë autoritetet shqiptare që të paraqesin, sa më shpejt që të jetë e mundur, shpjegimet dhe informacionin shtesë për zgjidhjet e propozuara në projekt ligj....
(...)"
LEGJISLACIONI
I. BASHKIMI I KËRKESAVE
18. Meqë të katër kërkesat parashtrojnë të njëjtën çështje, Gjykata vendos që ato duhet të bashkohen sipas Rregullit 42 § 1 të Rregullores së Gjykatës.
II. PRANUESHMËRIA E ANKESAVE
A. Në lidhje me të gjitha kërkesat
19. Kërkuesit pretenduan shkelje të nenit 6 § 1 dhe 13 të Konventës si edhe nenit 1 të Protokollit nr 1 të Konventës në lidhje me mosekzekutimin e vendimeve të brendshme të formës së prerë që njohin kompensim në vend të kthimit të pronave të tyre. Në lidhje me kërkesën nr.42120/08, Gjykata me iniciativë të vet ngre pyetjen nëse është shkelur neni 6 § 1 dhe 13 i Konventës.
Neni 6 § 1 i Konventës, aq sa është relevant, lexon si më poshtë:
"Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet.....nga [një] gjykatë ......në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile...."
Neni 13 i Konventës lexon si më poshtë:
"Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare".
Neni 1 i Protokollit 1 të Konventës lexon si më poshtë:
"Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Megjithatë, dispozitat e mëparshme nuk cënojnë të drejtën e Shteteve për të zbatuar ligje, që ato i çmojnë të nevojshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm ose për të siguruar pagimin e taksave ose tëkontributeve ose të gjobave të tjera".
20. Qeveria pretendon që kërkuesit nuk kanë përdorur zgjidhjet që janë prezantuar në periudhën 2005 dhe 2011.
21. Kërkuesit pretendojnë që zgjidhjet nuk kanë qenë të efektshme.
22. Gjykata konsideron që pyetja e ekzistencës së zgjidhjeve të efektshme në lidhje me mosekzekutimin e vendimit administrativ të formës së prerë dhe sidomos të zgjidhjeve të parashikuara me Ligjin e Pronave 2004 duhet të bashkohet me themelin dhe të shqyrtohet në lidhje me ankesën e kërkuesve sipas nenit 13. Në këtë drejtim, Gjykata konsideron që meqë ankesa e kërkuesve sipas nenit 6 § 1 të Konventës është "e diskutueshme", neni 13 është i zbatueshëm (shihni mes të tjerash, Eltari kundër Shqipërisë, nr. 16530/06, § 80, 8 mars 2011).
23. Gjykata konsideron që këto kërkesa janë dukshëm të pabazuara sipas kuptimit të nenit 35 § 3 (a) të Konventës. Ankesat duke mos qenë të papranueshme për shkaqe të tjera duhet të shpallen të pranueshme.
B. Në lidhje me kërkesën nr. 42120/08:
24. Kërkuesi në kërkesën nr. 42120/08 pretendon që është shkelur neni 1 i Protokollit nr 1 sepse ka qenë e pamundur që ai të marrë në posedim shtëpinë dy katëshe dhe tokën që e rrethon me sipërfaqe 500 m2.
25. Qeveria shprehet që kërkuesi nuk ka nisur proces ligjor kundër zaptuesit aktual të pronës.
26. Gjykata vëren që sipas nenit 35 § 1 të Konventës, ajo mund të shqyrtojë një ankesë "pas shterimit të të gjitha mjeteve të brendshme". Në këtë drejtim, ajo vëren që ky kërkues ka filluar por ka ndërprerë procesin ligjor për lirimin dhe kthimin e pronës së tij. Gjykata konkludon që kjo ankesë duhet të shpallet e papranueshme për mosshterimin e mjeteve të brendshme dhe duhet të refuzohet në përputhje me nenin 35 § § 1 dhe 4 të Konventës.
III. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 13 NË LIDHJE ME NENIN 6 § 1 TË KONVENTËS
27. Gjykata vëren që pyetja e ekzistencës së mjeteve efektive është shqyrtuar me hollësi në kërkesën e kërkuesve sipas nenit 13 në vendimin pilot Manushaqe Puto dhe të tjerë (paragrafët 72-84). Në paragrafin 84 të vendimit pilot, Gjykata konstaton "që nuk ka mjet efektiv të brendshëm të lejuar për zgjidhjen e duhur dhe të mjaftueshme në lidhje me mosekzekutimin e tejzgjatur të vendimeve të Komisionit në lidhje me kompensimin". Nuk ka arsye për t'ju shmangur këtyre gjetjeve.
28. Prandaj konstatohet shkelje e nenit 13 të Konventës. Rrjedhimisht, Gjykata rrëzon kundërshtimin e Qeverisë që kërkuesi nuk ka shteruar zgjidhjet e brendshme efektive.
IV. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 6 § 1 TË KONVENTËS DHE NENIT 1 TË PROTOKOLLIT Nr. 1
29. Kërkuesit ankohen që mosekzekutimi i vendimeve të formës së prerë në favor të tyre, të ndryshuara sipas rastit, është shkelje e të drejtave të tyre sipas nenit 6 § 1 dhe sipas nenit 1 të Protokollit nr.1 të Konventës.
30. Qeveria ka ngritur të njëjtat argumente, të shqyrtuara dhe të hedhura poshtë në vendimin pilot Manushaqe Puto dhe të tjerë (cituar më sipër, §§ 87-97). Gjykata nuk sheh arsye për të arritur në një konkluzion të ndryshëm në këto çështje.
31. Gjykata konstaton që mosekzekutimi nga autoritetet vendore gjatë kaq shumë viteve i vendimeve të brendshme dhe sidomos mospagimi i kompensimit janë shkelje e të drejtave të kërkuesve sipas nenit 6 § 1 dhe sipas nenit 1 të Protokollit Nr. 1 të Konventës.
V. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
32. Neni 41 i Konventës lexon:
"Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar".
1. Dëmi
(a) Parashtrimet e palëve
33. Kërkuesit, me përjashtim të kërkuesit në kërkesën nr. 42120/08 u bazuan në raportet e vlerësimit të ekspertëve dhe bënë kërkesat e mëposhtme në lidhje me dëmin monetar dhe jo-monetar.
Emri dhe numri i kërkesës
Dëmi monetar
Dëmi jo monetar
Metalla,
nr. 30264/08
24,908 euro në lidhje me vlerën e pronës për sipërfaqen e tokës prej 272 m2 në bazë të çmimeve të tregut në vitin 2010; ose 14,280 euro në lidhje me vlerën e pronës për sipërfaqen e tokës prej 272 m2 në bazë të çmimeve të vitit 1995 së bashku me humbjen e fitimit.
70,000 euro në lidhje me të tre kërkesat.
Metalla dhe të tjerë, nr. 54403/08
38,095 euro në lidhje me vlerën e pronës për sipërfaqen e tokës prej 527 m2 në bazë të çmimeve të tregut në vitin 2010; ose 21,923 euro në lidhje me vlerën e pronës për sipërfaqen e tokës prej 527 m2 në bazë të çmimeve të vitit 1994 së bashku me humbjen e fitimit.
Metalla dhe të tjerë, nr. 54411/08
80,586 euro në lidhje me vlerën e pronës për sipërfaqen e tokës bujqësore prej 5.000 m2 në bazë të çmimeve të tregut në vitin 2010; ose 104,000 euro në lidhje me vlerën e pronës për sipërfaqen e tokës bujqësore prej 5.000 m2 në bazë të çmimeve të vitit 2007 së bashku me humbjen e fitimit.
Bushati, nr. 42120/08
823,000 lek (5,772 euro) në lidhje me vlerën e sipërfaqes së tokës prej 500 m2 në bazë të VKM 139/2008 sipas të cilit çmimi i referencës në Dajc, Shijak është 1,646 lek, pa asnjë pretendim specifik në lidhje me pjesën e pasurisë të kërkuesit;
2,500,000 lek (17,534 euro) për vlerën e shtëpisë;
900,000 lek (6,312 euro) për humbjen e fitimit.
Asnjë (nuk u bë asnjë kërkesë).
34. Qeveria parashtron që hartat e vlerës japin çmimet e mëposhtme: 12,200 lek në lidhje me kërkesat nr. 30264/08 dhe 54403/08 bazuar në VKM nr. 1620 të 26 nëntorit 2008; 632 lek në lidhje me kërkesën nr. 54411/08 bazuar në VKM nr. 139 të 13 shkurtit 2008 dhe 1,317 lek në lidhje me kërkesën nr. 42120/08 bazuar në VKM nr. 139 të 13 shkurtit 2008.
35. Në përfundim, Qeveria ftoi Gjykatën që të zbatojë kompensimin financiar sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave.
(b) Vlerësimi i Gjykatës
36. Nisur nga natyra jo efektive e sistemit aktual të kompensimit dhe duke pasur parasysh, sidomos, faktin që kanë kaluar shumë vite që kur kërkuesve u është njohur kompensimi, Gjykata, pa paragjykuar zhvillime të mundshme në të ardhmen në lidhje me krijimin e një mekanizmi efektiv kompensimi, e konsideron të arsyeshme që t'i japë kërkuesit një shumë që do të ishte zgjidhje përfundimtare dhe shteruese e çështjeve përpara gjykatës.
37. Gjykata sjell në vëmendjen gjetjet e saj në çështjen Vrioni dhe të Tjerë kundër Shqipërisë(kompensim i drejtë), nr. 35720/04 dhe 42832/06, §§ 33-39, 7 dhjetor 2010 në lidhje me metodën e llogaritjes së dëmit monetar. Gjykata do të bazojë llogaritjen e saj për dëmin monetar në hartat e vlerës së pronave të miratuara nga Qeveria në vitin 2008 (shihni gjithashtu, Manushaqe Puto dhe të tjerë, të përmendura më sipër, § 125), duke mos u mbështetur nga harta më e fundit e Qeverisë për vlerën e pronës.
38. Duke pasur parasysh parashtrimet e palëve dhe material në dispozicion, Gjykata konsideron të arsyeshme që të jepet dëmshpërblim monetar dhe jo monetar sipas paraqitjes në formë tabulare në Shtojcën nr.2
2. Kosto dhe shpenzime
(a) Parashtrimet e palëve
39. Kërkuesit ngritën pretendimet e mëposhtme në lidhje me kostot dhe shpenzimet.
Emri dhe numri i kërkesës
Procesi gjyqësor i brendshëm
Procesi gjyqësor në Strasburg
Metalla, nr. 30264/08
8,935 euro në lidhje me të tre kërkesat. (faturat janë paraqitur)
Metalla dhe të tjerë, nr. 54403/08
Metalla dhe të tjerë, nr. 54411/08
Bushati, nr. 42120/08
Asnjë (nuk u bë asnjë kërkesë).
150,000 lek (1,050 euro) (nuk janë paraqitur faturat).
40. Qeveria kundërshton që faturat në kërkesat nr. 30264/08, 54403/08 dhe 54411/08 nuk janë fatura zyrtare në përputhje me legjislacionin e brendshëm. Qeveria gjithashtu kundërshtoi pretendimet e kërkuesve për kostot dhe shpenzimet si të tepruara dhe të paarsyeshme.
(b) Vlerësimi i Gjykatës
41. Sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës, kërkuesi ka të drejtë rimbursimin e kostove dhe shpenzimeve nëse provohet që këto kosto dhe shpenzime janë kryer dhe kanë qenë të domosdoshme dhe janë të arsyeshme sa i përket shumës (shihni Gjyli kundër Shqipërisë, nr. 32907/07, § 72, 29 shtator 2009). Për këtë qëllim, Rregulli 60 §§ 2 dhe 3 i Rregullores së Gjykatës parashikon që kërkuesit së bashku me pretendimet e tyre për kompensim të drejtë duhet të përfshijnë "çdo dokument mbështetës", pa të cilin Gjykata "mund të refuzojë pretendimet tërësisht ose pjesërisht".
42. Gjykata nuk mund të pranojë sugjerimin e Qeverisë që kërkohen fatura të miratuara zyrtarisht nga autoritetet tatimore: ky nuk është detyrim sipas Konventës, sepse nuk i takon kësaj Gjykatë që të rregullojë marrëdhënien ndërmjet një taksapaguesi dhe Shtetit (shihni për shembull Luli dhe të tjerë kundër Shqipërisë, nr. 64480/09, 64482/09, 12874/10, 56935/10, 3129/12 dhe 31355/09, § 129, 1 prill 2014). Duke pasur parasysh praktikën e konsoliduar gjyqësore si rezultat i miratimit të vendimit pilot Manushaqe Puto dhe të tjerë, natyrën përsëritëse e ankesave të ngritura në kërkesat e mësipërme, parashtrimet e njëjta të bëra në Gjykatë, përfaqësimin e kërkuesve nga i njëjti avokat dhe mendimin e Gjykatës së shumica e kostove dhe shpenzimeve të pretenduara nuk është e arsyeshme sa i përket shumës, Gjykata vendos që të vendosë kompensimin prej 3000 euro në lidhje me të tre kërkesat nr. 30264/08, 54403/08 dhe 54411/08.
43. Gjykata më tej vëren që kërkuesi në kërkesën nr.42120/08 nuk ka paraqitur asnjë dokument në mbështetje të pretendimit të tij siç kërkohet nga Rregulli 60 i Rregullores së Gjykatës. Prandaj, Gjykata nuk do të njohë kompensim në lidhje me kostot dhe shpenzimet në lidhje me atë çështje.
3. Interesi për mospagimin
44. Gjykata e konsideron të përshtatshme që norma e interesit për mospagimin duhet të bazohet në normën marxhinale të kreditimit të Bankës Qendrore Europiane, të cilës duhet t'i shtohen tre pikë përqindje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, ME UNANIMITET,
1. vendos të bashkojë kërkesat;
2. vendos t'i bashkojë themelit të ankesës sipas nenit 13 të Konventës kundërshtimin e Qeverisë në lidhje me ezaurimin e zgjidhjeve të brendshme;
3. shpall të pranueshme ankesat e kërkuesve sipas nenit 13 dhe 6 § 1 të Konventës si edhe sipas nenit 1 të Protokollit Nr. 1 të Konventës në lidhje me mosekzekutimin e vendimeve të formës së prerë për kompensimin e pronave në vend të kthimit fizik të tyre;
4. shpall të papranueshme pjesën tjetër të kërkesës nr. 42120/08.
5. gjykon që është shkelur neni 13 dhe 6 § 1 i Konventës si edhe neni 1 i Protokollit Nr. 1 të Konventës dhe rrjedhimisht, rrëzon kundërshtimin e Qeverisë për shterimin e zgjidhjeve të brendshme;
6. gjykon
(a) që Shteti i paditur duhet t'i paguajë kërkuesit të kërkesës nr. 42120/08, brenda tre muajve, shumën e caktuar në paragrafin 38 të vendimit dhe të paraqitur në tabelën e Shtojcës 2, plus çdo takse që mund t'i ngarkohet kërkuesit, e cila duhet të konvertohet në monedhën kombëtare sipas normës së interesit të datës së shlyerjes;
(b) që Shteti i paditur t'i paguajë kërkuesve të kërkesave nr.. 30264/08, 54403/08 dhe 54411/08, së bashku, brenda tre muajve, shumat e caktuara në paragrafin 38 dhe 42 të vendimit dhe të paraqitur në tabelën e Shtojcës 2 plus çdo takse që mund t'i ngarkohet kërkuesit, e cila duhet të konvertohet në monedhën kombëtare sipas normës së interesit të datës së shlyerjes;
(c) që nga mbarimi i afatit të sipërpërmendur tre mujor deri në datën e shlyerjes, interes i thjeshtë të paguhet për shumat e mësipërme sipas normës të njëjtë me normën marxhinale të kreditimit të Bankës Qendrore Europiane gjatë periudhës së mospagimit plus tre pikë përqindje;
7. rrëzon pjesën tjetër të pretendimit të kërkuesve për kompensim të drejtë.
Bërë në gjuhën angleze dhe njoftuar me shkrim më 16 korrik 2015 sipas Rregullit 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Fatoş AracıGeorge Nicolaou
Zëvendës KancelarKryetar
SHTOJCA 1- LISTA E PJESËMARRËSVE
Nr.
Emri dhe nr i çështjes
Emri i aplikantëve
(viti i lindjes)
Vendi i qëndrimit
Përfaqësuar nga
Data e paraqitjes
1.
Metalla, nr. 30264/08
Nezmi Metalla (1943)
Bujar Metalla (1956)
Shqipëri
E. Muharremaj, avokat
13 qershor 2008
2.
Bushati, nr. 42120/08
Genc Bushati (1944)
Shqipëri
B. Muslija,
avokat
9 gusht 2008
3.
Metalla dhe të tjerë, nr. 54403/08
Nezmi Metalla (1943)
Bujar Metalla (1956)
Shyqyri Metalla (1947)
Besnik Metalla (1961)
Ferik Metalla (1969)
Dhurata Metalla, mbiemri i vajzërisë Duka (1956)
Sanije Sinjari (1928)
Fiqirete Gashi (1931)
Shqipëri
E. Muharremaj, avokat
8 tetor 2008
4.
Metalla dhe të tjerë, nr. 54411/08
SHTOJCA 2 – DËMI MONETAR DHE JO MONETAR SI EDHE KOSTOT DHE SHPENZIMET
Emri dhe nr i kërkesës
Dëm monetar dhe jo monetar
Kosto dhe shpenzime
Metalla, nr. 30264/08
23,200 euro (njëzet e tre mijë e dyqind euro).
3,000 euro (tre mijë euro)
Metalla dhe të tjerë, nr. 54403/08
97,000 euro (nëntëdhjetë e shtatë mijë euro)
Metalla dhe të tjerë, nr. 54411/08
Bushati, nr. 42120/08
1,500 euro (një mijë e pesëqind euro në lidhje me pjesën e kërkuesit).
Asnjë (nuk është paraqitur asnjë faturë)
Full & Egal Universal Law Academy