© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA MOCANU ME TË TJERË k. RUMANISË
(Kërkesëpaditë nr. 10865/09, 45886/07 dhe 32431/08)
VENDIM
[Pjesë të zgjedhura]
STRASBURG
17 shtator 2014
Ky vendim është i formës së prerë. Atij mund t’i bëhen rishikime në redaktim.
Në çështjen Mocanu me të tjerë k. Rumanisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e mbledhur në një Dhomë të Madhe të përbërë nga:
Dean Spielmann, kryetar,
Guido Raimondi,
Mark Villiger,
Isabelle Berro-Lefèvre,
Peer Lorenzen,
Mirjana Lazarova Trajkovska,
Ledi Bianku,
Nona Tsotsoria,
Ann Power-Forde,
Işıl Karakaş,
Nebojša Vučinić,
Paulo Pinto de Albuquerque,
Paul Lemmens,
Aleš Pejchal,
Johannes Silvis,
Krzysztof Wojtyczek, gjyqtarë,
Florin Streteanu, gjyqtar ad hoc,
e nga Johan Callewaert, zëvendëssekretar i Dhomës së Madhe,
Pasi e diskutoi çështjen në dhomë këshillimi më 2 tetor 2013 e më 25 qershor 2014,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë të fundit:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të çështjes ndodhen tri kërkesëpadi të drejtuara kundër Rumanisë dhe me anë të të cilave tre qytetarë të këtij shteti, Znja Anca Mocanu (kërkesëpadia nr. 10865/09), Z. Marin Stoica (kërkesëpadia nr. 32431/08) dhe Z. Teodor Marieş, si edhe një person juridik i regjistruar sipas së drejtës rumune, me seli në Bukuresht, shoqata “21 Dhjetori 1989” (kërkesëpadia nr. 45886/07), i janë drejtuar Gjykatës përkatësisht më 28 janar 2009, 25 qershor 2008 dhe 13 korrik 2007 në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”).
2. Para Gjykatës, Znja Anca Mocanu, Z. Teodor Mărieş dhe shoqata paditëse janë përfaqësuar nga Z. A. Popescu, Znja I. Sfîrăială dhe Z. I. Matei, avokatë në Bukuresht. Znja Anca Mocanu është pranuar të përfitojë nga ndihma gjyqësore. Z. Marin Stoica, i cili është pranuar gjithashtu të përfitojë nga ndihma gjyqësore, është përfaqësuar deri më 8 dhjetor 2009 nga Znja D. Nacea, avokate në Bukuresht, dhe, duke filluar prej 22 janarit 2013, nga Znja D.O. Hatneanu, avokate në Bukuresht. Qeveria rumune (“Qeveria”) është përfaqësuar nga agjentët e saj të njëpasnjëshëm, Z. R.H. Radu, pastaj Znja I. Cambrea, dhe më në fund Znja C. Brumar, nga Ministria e Punëve të Jashtme.
3. Në kërkesëpaditë e tyre përkatëse, paditësit individualë e quanin veten viktima të shtypjes së dhunshme të demonstratave antiqeveritare të organizuara në Bukuresht në qershor 1990 dhe pretendonin se këto ngjarje nuk ishin bërë objekt i një hetimi efektiv. Duke denoncuar po të njëjtat ngjarje, shoqata paditëse ankohej për kohëzgjatjen e procedurës penale në të cilën ajo kishte qenë palë civile.
4. Kërkesëpaditë i janë caktuar Seksionit të Tretë të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores). Më 3 shkurt 2009, Dhoma ka vendosur që t’i bashkojë kërkesëpaditë nr. 45886/07 e nr. 32431/08 dhe që t’ia njoftojë ato Qeverisë. Më 15 mars 2011, ajo ka vendosur që t’i njoftojë Qeverisë gjithashtu edhe kërkesëpadinë nr. 10865/09.
5. Pas tërheqjes së Z. Corneliu Bîrsan, gjyqtar i zgjedhur në lidhje me Rumaninë dhe në atë kohë në detyrë, Qeveria ka caktuar Z. Florin Streteanu për të marrë pjesë në cilësi gjyqtari ad hoc (nenet 26 § 4 i Konventës dhe 29 § 1 i Rregullores).
6. Më 13 nëntor 2012, një Dhomë e Seksionit të Tretë, e përbërë nga gjyqtarët Josep Casadevall, Egbert Myjer, Alvina Gyulumyan, Ján Šikuta, Ineta Ziemele, Luis López Guerra dhe Florin Streteanu, gjyqtar ad hoc, si edhe nga Santiago Quesada, sekretar seksioni, ka vendosur t’i bashkojë të tria kërkesëpaditë dhe i ka shpallur ato të pranueshme për sa u përket ankesave të bëra në bazë të nenit 2 të Konventës për Znjën Anca Mocanu, të nenit 3 të Konventës për Z. Marin Stoica dhe të nenit 6 § 1 të Konventës për shoqatën paditëse, dhe të papranueshme për çdo kërkesë tjetër. Kërkesëpadia nr. 45886/07 është shpallur e papranueshme për Z. Teodor Mărieş. Dhoma, njëzëri, ka dalë në përfundimin se nuk kishte pasur shkelje të anës procedurale të nenit 2 të Konventës për sa i përkiste Znjës Anca Mocanu, shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës për sa i përkiste shoqatës paditëse dhe se nuk kishte përse ta shqyrtonte më vete ankesën e bërë mbi bazën e nenit 34 të Konventës. Ajo, me pesë vota në favor dhe dy kundër, ka dalë gjithashtu në përfundim se kishte pasur shkelje të anës procedurale të nenit 3 të Konventës për sa i përkiste Z. Marin Stoica.
7. Më 12 shkurt 2013, Z. Marin Stoica ka kërkuar kalimin e çështjes pranë Dhomës së Madhe në bazë të nenit 43 të Konventës dhe të nenit 73 të Rregullores. Më 29 prill 2013, kolegji i Dhomës së Madhe e ka pranuar këtë kërkesë.
8. Përbërja e Dhomës së Madhe është vendosur në përputhje me nenet 26 §§ 4 e 5 të Konventës dhe 24 të Rregullores.
9. Si Z. Marin Stoica e shoqata paditëse ashtu edhe Qeveria kanë paraqitur vërejtje plotësuese (neni 59 § 1 i Rregullores). Vërejtje janë paraqitur gjithashtu nga organizata ndërkombëtare joqeveritare Redress, të cilën kryetari e kishte lejuar të ndërhynte në procedurën me shkrim (nenet 36 § 2 i Konventës dhe 44 § 3 i Rregullores).
10. Një seancë është zhvilluar në publik në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 2 tetor 2013 (neni 59 § 3 i Rregullores).
Janë paraqitur:
– për Qeverinë
ZnjaC. Brumar,agjente,
ZnjaG. Munteanu,avokate;
– për paditësit
ZnjaD.O. Hatneanu, avokate,
Z.A. Popescu, avokat,
ZnjaI. Sfîrăială, avokate,avokatë,
Z.T. Mărieş,kryetar i shoqatës paditëse,
Z.M. Stoica,paditës.
Gjykata ka dëgjuar fillimisht deklarimet Znjës Hatneanu e të Znjës Sfîrăială, pastaj të Znjës Brumar e të Znjës Munteanu dhe në fund të Z. Popescu e të Z. Mărieş, si edhe përgjigjet e tyre për pyetjet e bëra nga gjyqtarët.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
11. Znja Anca Mocanu dhe Z. Marin Stoica kanë lindur përkatësisht më 1970 e më 1948. Ata janë me vendbanim në Bukuresht.
12. Shoqata “21 Dhjetori 1989 (Asociaţia 21 Decembrie 1989) është themeluar më 9 shkurt 1990 dhe e ka selinë e saj në Bukuresht.
13. Shoqata paditëse bashkon kryesisht persona që janë plagosur gjatë shtypjes së dhunshme të demonstratave kundër regjimit totalitar të organizuara në Rumani në dhjetor 1989 si edhe të afërm personash që kanë gjetur aty vdekjen. Ajo bënte pjesë te grupet që i kanë përkrahur demonstratat antiqeveritare që janë zhvilluar në Bukuresht veçanërisht nga prilli deri në qershor 1990, dhe që kërkonin ndër të tjera identifikimin e personave përgjegjës për aktet e dhunës të kryera në dhjetor 1989.
A. Ngjarjet që kanë ndodhur nga 13 deri më 15 qershor 1990
1. Përmbledhja e ngjarjeve kryesore
14. Ngjarjet kryesore lidhur me shtypjen e demonstratave antiqeveritare të zhvilluara nga 13 deri më 15 qershor 1990 janë përshkruar në vendimet e datave 16 shtator 1998 (paragrafët 99-110 të mëposhtëm) dhe 17 qershor 2009 (paragrafët 152-163 të mëposhtëm) të dhëna nga prokuroria pranë Gjykatës së Lartë të Drejtësisë (të shndërruar më 2003 në Gjykatën e Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë) si edhe në vendimet e dërgimit për gjykim (rechizitoriu) të dhëna nga e njëjta prokurori në datat 18 maj 2000 dhe 27 korrik 2007.
15. Më 13 qershor 1990, ndërhyrja e forcave të sigurimit kundër demonstruesve që kishin pushtuar sheshin e Universitetit dhe disa lagje të tjera të kryeqytetit shkaktoi disa viktima civile, ndër të cilët bashkëshorti i Znjës Anca Mocanu, Z. Velicu‑Valentin Mocanu, i cili u vra me një të shtënë me armë zjarri të qëlluar nga godina e Ministrisë së Brendshme.
16. Në mbrëmjen e datës 13 qershor 1990, Z. Marin Stoica dhe persona të tjerë, demonstrues ose jo, u ndaluan dhe u keqtrajtuan nga policë me uniformë dhe njerëz me veshje civile në rrethinat dhe në bodrumet e godinës së televizionit publik.
17. Më 14 qershor 1990, mijëra minatorë të ardhur në pjesën më të madhe nga rajoni i minierave të luginës së Jiut (Valea Jiului) u dërguan me autokolona në Bukuresht për të marrë pjesë në shtypjen e demonstruesve.
18. Më 14 qershor 1990, në orën 6.30, presidenti rumun iu drejtua minatorëve të mbërritur në sheshin përpara selisë së Qeverisë, duke i ftuar ata të niseshin drejt sheshit të Universitetit, ta pushtonin atë dhe ta mbronin kundër demonstruesve, gjë të cilën ata e bënë më pas.
19. Aktet e dhunshme të datave 13 dhe 14 qershor 1990 shkaktuan mbi një mijë viktima, emrat e të cilave figurojnë në një listë bashkëngjitur vendimit të dhënë më 29 prill 2008 nga seksioni ushtarak i prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë.
20. Selitë e disa partive politike dhe institucioneve të tjera, ndërmjet të cilave edhe ajo e shoqatës paditëse, u sulmuan e u plaçkitën. Për rrjedhojë, kjo e fundit u paraqit si palë me padi civile në procedurën penale.
21. Procedura penale lidhur me vrasjen me armë zjarri të Z. Velicu-Valentin Mocanu mbetet e papërfunduar. Hetimi i çelur për keqtrajtimet e shkaktuara ndaj Z. Marin Stoica më 13 qershor 1990 është mbyllur me një vendim për pushim të çështjes të datës 17 qershor 2009 të lënë në fuqi nga një vendim i Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë të dhënë më 9 mars 2011.
22. Faktet e parashtruara në vendimet e 16 shtatorit 1998 dhe të 17 qershorit 2009 si edhe vendimet e dërgimit për gjykim të marra më 18 maj 2000 e më 27 korrik 2007 nga prokuroria e Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë mund të përmblidhen si më poshtë.
2. Demonstratat e organizuara gjatë muajve të parë të vitit 1990
23. Sheshi i Universitetit të Bukureshtit konsiderohej si një vend simbolik i luftës kundër regjimit totalitar të Nicolae Ceauşescu-t për arsye të numrit të madh të njerëzve të cilët ishin vrarë ose plagosur aty nga shtypja me armë që kishte nisur ky regjim më 21 dhjetor 1989. Kështu që, gjatë muajve të parë të vitit 1990, disa shoqata – ndërmjet të cilave shoqata paditëse – i ftuan anëtarët e tyre të mblidheshin për të protestuar pikërisht në këtë shesh.
24. Prandaj, demonstratat e para kundër qeverisë së përkohshme të vendosur në pushtet pas rënies së regjimit të Ceauşescu-t u bënë në sheshin e Universitetit në Bukuresht më 12 dhe 24 janar 1990, siç e vë në dukje vendimi i dhënë më 17 qershor 2009 nga prokuroria pranë Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë. Nga vendimi në fjalë del gjithashtu se një kundërdemonstratë u organizua nga Fronti i Shpëtimit Kombëtar (Frontul Salvării Naţionale) (“FSN”) më 29 janar 1990. Me këtë rast, në Bukuresht u shfaqën minatorët e ardhur, ndër të tjera, nga pellgjet qymyrgurore të Valea Jiuluit e të Maramureshit. Në atë kohë u bënë vandalizma ndaj selisë së Partisë Kombëtare Liberale.
25. Duke nisur nga 25 shkurti 1990, demonstrata u bënë çdo të diel. Sipas vendimit të dërgimit për gjykim të 27 korrikut 2007, ato kishin për synim të stigmatizonin qëndrimin e atyre të cilëve u ishte besuar pushteti, të akuzuar se kishin “tradhtuar idealet e revolucionit”, si edhe të alarmonin popullsinë për rrezikun e vendosjes së një regjimi të ri diktatorial.
26. Pas kësaj filloi një fushatë elektorale për zgjedhjet legjislative dhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës, të parashikuara për më 20 maj 1990.
27. Pikërisht në këtë kontekst, me nismën e Lidhjes Studentore dhe të disa shoqatave të tjera, ndër të cilat shoqata paditëse, më 22 prill 1990 nisën disa “demonstrata maratonë” (manifestaţii maraton) të palejuara në sheshin e Universitetit. Këto demonstrata vazhduan dyzet e pesë ditë, gjatë të cilave demonstruesit e pushtuan sheshin e Universitetit. Nga vendimet e 16 shtatorit 1998 dhe të 17 qershorit 2009 del që demonstruesit, të mbledhur në një numër të madh, nuk ishin të dhunshëm dhe kërkonin kryesisht që të përjashtoheshin nga jeta publike ato personalitete të cilat kishin ushtruar pushtet në periudhën e regjimit totalitar. Ata kërkonin përveç kësaj një televizion të pavarur nga pushteti.
28. Nga ana tjetër, ata kërkonin identifikimin e personave përgjegjës të shtypjes me armë të dhjetorit 1989 dhe shkarkimin e udhëheqësve të asaj kohe, sidomos atë të ministrit të Brendshëm, të cilët i quanin si përgjegjës për shtypjen e demonstratave antikomuniste të dhjetorit 1989.
29. Më 22 prill 1990, 14 demonstrues u ndaluan nga policia me arsyetimin se demonstrata nuk ishte e pajisur me leje. Përballë kundërpërgjigjes së popullsisë, e cila kishte ardhur të bashkohej me demonstruesit e sheshit të Universitetit, Policia i liroi 14 personat e ndaluar. Në ditët që pasuan, autoritetet nuk e vunë më në përdorim forcën, ndonëse Bashkia e Bukureshtit vazhdoi të mos jepte leje për atë grumbullim.
30. Bisedimet e nisura ndërmjet demonstruesve dhe qeverisë së përkohshme përfunduan në një udhë pa krye.
31. Më 20 maj 1990 u zhvilluan zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Ato u fituan nga FSN-ja dhe udhëheqësi i tij, i cili kishte vënë kandidaturën e vet për president.
32. Të nesërmen e atyre zgjedhjeve, lëvizja e protestave vazhdoi në sheshin e Universitetit, por ajo i kishte humbur përmasat fillestare. Nga rreth 260 persona ende të pranishëm, 118 kishin nisur një grevë urie.
3. Mbledhja e mbajtur nga ekzekutivi më 11 qershor 1990
33. Në mbrëmjen e 11 qershorit 1990, presidenti i sapozgjedhur rumun dhe kryeministri i tij thirrën një mbledhje qeverie ku morën pjesë ministri i Brendshëm me zëvendësin e tij, ministri i Mbrojtjes, drejtori i Shërbimit Informativ Rumun (Serviciul Român de Informaţii – SRI), nënkryetari i parë i FSN-së – partisë në pushtet – dhe Prokurori i Përgjithshëm i Rumanisë. Kjo është vërtetuar në vendimet e prokurorisë të datave 16 shtator 1998 dhe 17 qershor 2009.
34. Gjatë kësaj mbledhjeje, u vendos të merreshin masa për zbrazjen e sheshit të Universitetit për më datën 13 qershor 1990. Përveç kësaj, u propozua që organeve shtetërore – policisë e ushtrisë – t’u silleshin si përforcim rreth 5 000 civilë të mobilizuar. Vënia në jetë e kësaj mase iu besua zëvendëskryetarit të FSN-së. Dy anëtarë të Komitetit Drejtues të kësaj partie e kundërshtuan këtë gjë, por më kot. Nga vendimi i 17 qershorit 2009 del se një plan i hartuar nga gjenerali C. u miratua prej kryeministrit.
35. Po atë mbrëmje, Prokuroria e Pëgjithshme (Procuratura Generală) shpërndau përmes televizionit publik një komunikatë ku e ftonte qeverinë të merrte masa për t’ia kthyer sheshin e Universitetit qarkullimit të automjeteve.
36. Në një mbledhje që u mbajt gjatë po asaj mbrëmjeje dhe ku morën pjesë ministri i Brendshëm, kreu i SRI-së dhe kreu i policisë, gjenerali D.C. paraqiti planin për zbrazjen e sheshit të Universitetit nga ana e policisë dhe e xhandarmërisë të ndihmuara prej forcave të rekrutuara midis civilëve. Sipas atij plani, operacioni duhej “të fillojë më 13 qershor 1990 në orën 4 me rrethimin e perimetrit, arrestimin e demonstruesve dhe rivendosjen e rendit publik”.
4. Zhvillimi i ngjarjeve të 13 qershorit 1990
37. Më 13 qershor 1990, rreth orës 4.30, forcat e policisë dhe të xhandarmërisë u sulën egërsisht mbi demonstruesit e sheshit të Universitetit. Demonstruesit e ndaluar u dërguan dhe u mbyllën në lokalet e policisë bashkiake të Bukureshtit. Midis 263 personave të ndaluar (apo 262, sipas vendimit të dërgimit për gjykim të datës 18 maj 2000) ndodheshin edhe studentët e pranishëm në mjediset e Institutit të Arkitekturës që ndodheshin në sheshin e Universitetit, të cilët nuk kishin marrë pjesë te demonstratat. Vendimi i datës 17 qershor 2009 vë në dukje se 263 personat e ndaluar, pasi u burgosën në qelitë e policisë, u dërguan në garnizonin ushtarak të Mëgureles.
38. Operacioni i policisë ngjalli protesta nga njerëz të shumtë, të cilët kërkuan lirimin e demonstruesve të ndaluar. Sipas vendimit të datës 16 shtator 1998, këta njerëz u sulën dhunshëm kundër forcave të rendit, duke hedhur sende të forta e duke u vënë zjarrin disa automjeteve. Sipas vendimit të dërgimit për gjykim të datës 18 maj 2000, këto akte ishin vepër e disa individëve me sjellje agresive të cilët u ishin bashkuar grupeve të demonstruesve paqësorë.
39. Rreth orës 10, punëtorët e uzinave IMGB të Bukureshtit u drejtuan në mënyrë masive drejt sheshit të Universitetit për t’i ndihmuar forcat policore për kapjen e demonstruesve. Sipas vendimit të datës 16 shtator 1998, ata vepruan në mënyrë të çorganizuar e shtazarake, duke goditur verbërisht e pa dallim demonstrues dhe kalimtarë të thjeshtë.
40. Në pasditen e 13 qershorit 1990, demonstratat u bënë më të fuqishme në rrethinat e televizionit, të sheshit të Universitetit, të Ministrisë së Brendshme dhe të lokaleve të policisë bashkiake, vende këto ku, sipas demonstruesve, mund të mbaheshin të burgosur personat e ndaluar.
41. Pas këtyre incidenteve, ndërhyri ushtria dhe në selinë e Ministrisë së Brendshme u dërguan disa automjete të blinduara.
42. Nga një raport i hartuar prej Ministrisë së Brendshme, të cilin Qeveria e ka përmendur në vërejtjet e saj me shkrim, del se, rreth orës 18, selia e Ministrisë së Brendshme ishte rrethuar nga 4 000 deri në 5 000 demonstrues dhe se, me urdhër të gjeneralëve A.G. e C.M, disa ushtarakë të pozicionuar në brendësi të Ministrisë kishin qëlluar me armë drejt tavaneve të holleve me qëllim që t’i shpërndanin ata.
43. Të shtënat me armë zjarri në selinë e Ministrisë së Brendshme vranë tre persona.
44. Pikërisht në ato rrethana, rreth orës 18, ndërkohë që ndodhej disa metra larg portës së Ministrisë, bashkëshorti i paditëses u vra nga një plumb që e kishte goditur atë në pjesën e pasme të kokës pasi kishte bërë rikoshet. Këto fakte përshkruhen me hollësi në vendimet e datave 18 maj 2000 dhe 27 korrik 2007, me të cilat janë dërguar për gjykim ministri i Brendshëm i asaj kohe, një gjeneral dhe tre kolonelë. Sipas vendimit të parë të dërgimit për gjykim, bashkëshorti i paditëses dhe viktimat e tjera, të cilët atë ditë po ktheheshin nga vendet e tyre të punës, nuk ishin të armatosur dhe nuk kishin marrë pjesë më parë në demonstratat maratonë të sheshit të Universitetit. Duke qenë spektatorë të thjeshtë të ngjarjeve, ata ishin vrarë nga plumba që kishin bërë rikoshet.
45. Në një lagje tjetër të kryeqytetit, forcat e rendit vranë me plumb një person të katërt. Një tjetër vdiq pasi u godit me thikë në lagjen e televizionit.
46. Më 13 qershor 1990, asnjë ushtarak nuk pësoi veprime të dhunshme nga ana e demonstruesve, siç del nga vendimi i dërgimit për gjykim i datës 27 korrik 2007. Sipas këtij dokumenti, atë ditë ushtria kishte shtënë me 1 466 plumba nga selia e Ministrisë së Brendshme.
47. Përveç kësaj, edhe persona të tjerë, ndër të cilët ndodhej Z. Marin Stoica, u rrahën dhe u mbajtën në selinë e televizionit publik nga policë e civilë, në rrethanat e përshkruara këtu më poshtë.
48. Selia e televizionit publik ruhej në atë kohe nga 82 ushtarakë të mbështetur me 14 autoblinda, të përforcuar më pas me forca të tjera të armatosura, më të rëndësishmet prej të cilave numëronin 156 ushtarakë (të mbërritur në vendngjarje në orën 19), një detashment desantësh (të mbërritur në 19.30), 646 ushtarakë (të mbërritur në orën 20), 118 desantë (të mbërritur në orën 23) dhe 360 ushtarakë me 13 autoblinda të tjera (të mbërritur në orën 23).
49. Aty rreth orës një, demonstruesit u dëbuan nga selia e televizionit si pasojë e kësaj ndërhyrjeje me forca të mëdha.
5. Rrethanat që i përkasin vetëm Z. Marin Stoica
50. Më 13 qershor 1990, në fund të pasdites, ndërkohë që po shkonte në këmbë në vendin e tij të punës duke kaluar nga një rrugë afër selisë së televizionit publik, paditësi u ndalua në mënyrë brutale nga një grup personash të armatosur dhe u çua forcërisht në lokalet e televizionit. Në prani të policëve dhe të ushtarakëve që gjendeshin aty, disa civilë e goditën dhe e lidhën përpara se ta shpinin në bodrumet e ndërtesës. Pastaj ai u çua në një studio të televizionit, ku ndodheshin tashmë disa dhjetëra persona. Ata u filmuan aty në prani të drejtorit të stacionit televiziv publik të asaj kohe. Natën midis 13 dhe 14 qershorit 1990, regjistrimet u transmetuan, të shoqëruara me komente që i paraqisnin të interesuarit si agjentë të shërbimeve të fshehta të huaja të cilët kishin kërcënuar t’i shkatërronin mjediset dhe pasuritë e televizionit.
51. Po atë natë, paditësi u rrah, u qëllua në kokë me objekte goditëse dhe u kanos me armë zjarri deri sa humbi ndjenjat.
52. Ai u zgjua rreth orës 4.30 në spitalin Floreaska të Bukureshtit. Sipas raportit të ekspertizës mjekoligjore të hartuar më 18 tetor 2002, nga certifikata mjekësore e lëshuar prej shërbimit të urgjencave kirurgjikale të spitalit dilte se i interesuari ishte shtruar më 14 qershor 1990, rreth orës 4.30 dhe se tek ai ishte diagnostikuar një kontuzion i kraharorit dhe i barkut nga ana e majtë, disa dërrmishje të kraharorit nga ana e majtë si pasoja të një sulmi dhe një traumë kranikocerebrale.
53. Rreth orës 6.30, nga frika e masave ndëshkuese, ai u arratis prej spitalit që ishte i rrethuar me policë.
54. Dokumentet e identitetit i ishin konfiskuar natën midis 13 dhe 14 qershorit 1990. Ai u ftua të shkonte për t’i marrë ato tre muaj më vonë në Drejtorinë e Hetimit të Krimeve pranë Inspektoratit të Përgjithshëm të Policisë. Ndërkohë ai kishte mbetur i mbyllur në shtëpi, nga frika se mos arrestohej, torturohej e burgosej përsëri.
6. Mbërritja e minatorëve në Bukuresht
55. Sipas vendimit të 16 shtatorit 1998, dëshmitari M.I., me profesion inxhinier dhe në kohën e ngjarjeve shef shërbimi në agjencinë e Shoqërisë Kombëtare të Hekurudhave në Krajovë (Regionala CFR Craiova), kishte deklaruar se, në mbrëmjen e 13 qershorit 1990, drejtori i kësaj agjencie kishte dhënë urdhër që të hiqeshin disa trena të rregullt dhe të viheshin në dispozicion të minatorëve, në stacionin e Petroshanit, në zemër të ndërmarrjes minerare të luginës së Jiut, katër trena me 57 vagonë në total.
56. M.I. kishte shtuar se ky urdhër i ishte dukur abuziv dhe se ai ishte përpjekur ta pengonte transportin e minatorëve drejt Bukureshtit duke e prerë furnizimin me energji elektrike të linjës hekurudhore në segmentin e sipërpërmendur. Ai kishte saktësuar se, përballë mosbindjes së tij, drejtori i agjencisë e kishte zëvendësuar dhe e kishte rivënë në funksionim linjën hekurudhore rreth orës 21. Pas kësaj, M.I. qenkësh pushuar nga puna dhe kallëzuar në prokurori.
57. Nga vendimi i dhënë më 10 mars 2009 nga prokuroria pranë Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë del se, më 14 qershor 1990, njëmbëdhjetë trena – 120 vagonë në total – të cilët transportonin punëtorë, veçanërisht minatorë, ishin nisur në drejtim të Bukureshtit nga disa zona industriale të vendit. I pari prej tyre kishte mbërritur në Bukuresht në orën 3.45, kurse i fundit në 19.08.
58. Nga vendimi i 16 shtatorit 1998 del që minatorët ishin njoftuar se duhej t’u jepnin një dorë forcave të policisë për të rivendosur rendin publik në Bukuresht dhe që ata ishin armatosur me sëpata, zinxhirë, shkopinj dhe kavo metalike.
59. Vendimi i 10 marsit 2009 vë në dukje se minatorët ishin grumbulluar me thirrjen e udhëheqësve të sindikatës së tyre. I dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit, kryetari i Federatës Sindikale të Minatorëve – i bërë kryetar bashkie i qytetit të Lupenit më 1998 – kishte deklaruar se pesë trena që transportonin minatorë kishin mbërritur në stacionin hekurudhor të Bukureshtit më 14 qershor 1990 rreth orës 1, se minatorët ishin pritur nga zëvendësministri i Minierave dhe një drejtor i përgjithshëm i kësaj ministrie, dhe se këta dy udhëheqës të lartë qeveritarë i kishin çuar ata te sheshi i Universitetit.
7. Zhvillimi i ngjarjeve të 14 qershorit 1990
60. Mëngjesin e 14 qershorit 1990, disa grupe minatorësh u ndalën fillimisht në Sheshin e Fitores (Piaţa Victoriei), ku ndodhej selia e qeverisë.
61. Rreth orës 6.30, kreu i shtetit u mbajti fjalim minatorëve të grumbulluar përpara selisë së qeverisë, duke i ftuar ata të bashkëpunonin me forcat e rendit dhe të rivendosnin qetësinë në sheshin e Universitetit dhe në lagjet e tjera ku kishte pasur incidente. Në këtë fjalim, të riprodhuar në mënyrë të plotë në vendimin e 17 qershorit 2009, ai u bëri atyre thirrje që të drejtoheshin për te sheshi i Universitetit për ta pushtuar atë, duke ua bërë të ditur se do të përballeshin me “elementë haptazi fashistë që kishin kryer akte vandalizmi” duke u vënë zjarrin selisë së Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Policisë dhe duke “pushtuar godinën e televizionit”.
62. Menjëherë pas kësaj, grupe të organizuara minatorësh u shpunë “nga persona të paidentifikuar” te selitë e partive opozitare dhe të shoqatave që njiheshin si kundërshtare të pushtetit.
63. Minatorët ishin të drejtuar nga forcat e rendit të Ministrisë së Brendshme, me të cilat ato formonin “ekipe të përziera”, dhe ishin hedhur në kërkim të demonstruesve. Nga vendimi i 17 qershorit 2009 del që me këtë rast u bënë “akte të një mizorie të skajshme, ushtrime dhune ku u goditën pa dallim edhe demonstruesit, edhe banorë të kryeqytetit që nuk kishin të bënin fare me demonstratat”. Vendimi i 10 marsit 2009 vë në dukje se minatorët u ishin vërsulur gjithashtu edhe banesave të disa personave që i përkisnin etnisë rome. Sipas po të njëjtit vendim, minatorët kishin disa “kritere përzgjedhjeje” për t’i identifikuar personat që sipas tyre dyshohej se kishin marrë pjesë në demonstratat e sheshit të Universitetit, duke iu vërsulur “si rregull i përgjithshëm, romëve, studentëve, intelektualëve, gazetarëve dhe kujtdo tjetër që nuk e njihte legjitimitetin e tyre”.
64. Grupet e minatorëve dhe personat e tjerë që i shoqëronin ato kishin shkatërruar e plaçkitur selinë e Partisë Kombëtare Fshatare (Partidul Naţional Ţărănesc Creştin şi Democrat), atë të Partisë Kombëtare Liberale, si edhe ato të disa personave të tjerë juridikë si Shoqata e ish-të Burgosurve Politikë (Asociaţia Foştilor Deţinuţi Politici), Lidhja për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (Liga pentru Apărarea Drepturilor Omului) dhe Shoqata “21 Dhjetori 1989” (shoqata paditëse).
65. Sipas vendimit të 16 shtatorit 1998, minatorët nuk kursyen asnjë nga personat që gjendeshin në atë moment në selitë e këtyre partive politike dhe shoqatave. Askush nuk mbeti pa u sulmuar e pa iu marrë gjithçka kishte. Shumë prej tyre u kapën, iu dorëzuan policisë – e cila ndodhej aty “si rastësisht” – dhe u burgosën në mënyrë krejtësisht të parregullt.
66. Disa grupe të tjera minatorësh ishin drejtuar për te sheshi i Universitetit. Teksa mbërritën aty, ata depërtuan duke thyer dyert brenda mjediseve të Universitetit dhe të Institutit të Arkitekturës, që ndodheshin në këtë shesh. Ata keqtrajtuan personelin dhe studentët që gjetën aty, duke i dhunuar e poshtëruar. Ata i kapën personat e pranishëm në ato mjedise dhe ia dorëzuan policisë dhe xhandarëve. Personat e arrestuar u shpunë nga forcat e rendit nëpër komisariate policie ose te njësitë ushtarake të Bëneasës e të Mëgureles.
67. Minatorët pushtuan pastaj rrugët që ishin përreth sheshit të Universitetit e i vazhduan edhe aty veprimet e tyre.
68. Sipas vendimit të 17 qershorit 2009, 1 021 persona – nga të cilët 63 nuk ishin në moshë madhore në atë kohë – u kapën në të njëjtat kushte. Njëqind e tetëdhjetë e dy prej tyre u vendosën në paraburgim, 88 morën ndonjë sanksion administrativ dhe 706 persona u liruan “pas verifikimesh”.
69. Vendimi i datës 16 shtator 1998 shprehet se “minatorët u [kishin] dhënë fund veprimeve të tyre hakmarrëse më 15 qershor 1990, pasi morën nga presidenti rumun falënderime publike për çfarë kishin bërë në kryeqytet dhe lejen për t’u kthyer në punën e tyre”.
70. Nga ai del gjithashtu se disave nga këta persona të rrahur e të burgosur iu hoq liria në mënyrë të paligjshme për disa ditë dhe disa prej tyre e rifituan lirinë më 19 ose më 20 qershor 1990.
71. Personat e tjerë të arrestuar u vendosën me vendim prokurori në paraburgim për prishje të rendit publik, në veçanti kryetari i tanishëm i shoqatës paditëse, i cili u nxor më vonë i pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura kundër tij.
72. Vendimi i datës 17 qershor 2009 saktëson se minatorët kishin vepruar në bashkëpunim të ngushtë me forcat e rendit dhe sipas udhëzimeve të udhëheqësve të shtetit. Pjesët e tij përkatëse shprehen kështu:
“Më 14 e 15 qershor 1990, minatorët kanë kryer në grupe të bashkërenditur nga civilë që vepronin në emrin dhe me miratimin e udhëheqësve të shtetit (în numele şi cu acordul conducerii de stat) veprime te të cilat forcat e rendit të shtetit kanë bashkëpunuar plotësisht (deplină cooperare) dhe që kanë shkaktuar jo vetëm dëmtime trupore ndaj personave të kapur për verifikime, por edhe dëme të shumta ndaj selive të Universitetit të Bukureshtit, të Institutit të Arkitekturës, të disa partive politike dhe shoqatave civile si edhe ndaj banesave të personaliteteve të partive të ashtuquajtura “historike”. (...)
Hetimet e kryera nga prokurorët ushtarakë nuk kanë mundësuar të identifikoheshin personat me veshje civile që ishin përzier me minatorët, meqenëse viktimat e pyetura e kanë bërë dallimin midis minatorëve dhe personave të tjerë që i kanë sulmuar duke i quajtur të parët se ishin “minatorë të pistë” dhe të dytët se ishin “minatorë të pastër”.
8. Rrethanat që i përkasin vetëm shoqatës paditëse
73. Më 13 qershor 1990, shoqata paditëse i dënoi publikisht veprimet e dhunshme që kishin ndodhur po atë ditë.
74. Rreth orës 23, drejtuesit e shoqatës vendosën që, për masë sigurie, ta kalonin natën në selinë e kësaj të fundit. Shtatë prej tyre qëndruan aty atë natë.
75. Më 14 qershor 1990, në orën 7, një grup minatorësh depërtuan në mjediset e shoqatës paditëse pasi kishin thyer xhamat e një dritareje. Ata nuk kryen asnjë veprim të dhunshëm gjatë minutave të para pasi hynë, duke treguar njëfarë përmbajtjeje. Ca kohë më pas, në vendngjarje mbërriti një civil i paidentifikuar që nuk ishte i tyri dhe që zuri të godiste një prej anëtarëve të shoqatës. Minatorët e imituan atë, duke i rrahur keq të shtatë anëtarët e shoqatës, të cilët pastaj u kapën nga forcat e rendit.
76. Gjatë ditës së 14 qershorit 1990, të gjitha pasuritë dhe dokumentet e shoqatës u konfiskuan pa i përfillur fare formalitetet ligjore, nën kontrollin e trupave të Ministrisë së Mbrojtjes.
77. Më 22 qershor 1990, drejtuesit e shoqatës mundën të kthehen në mjediset e shoqatës, në prani të policisë.
9. Vazhdimi i ngjarjeve nga 13 më 15 qershor 1990
78. Nga vendimet e cituara më lart të prokurorisë del se, në vend që të ktheheshin menjëherë pranë vatrave të tyre përkatëse, 958 minatorë kishin qëndruar në Bukuresht, “të gatshëm për të ndërhyrë në qoftë se rifillonin demonstratat e protestës”, veçanërisht me rastin e betimit që duhej të bënte ato ditë më pas presidenti i sapozgjedhur. Nga 16 deri më 19 qershor 1990, këta minatorë u strehuan në kazermat ushtarake të Bukureshtit, ku atyre iu dhanë uniforma ushtarake.
79. Vendimi i datës 16 shtator 1998 vë në dukje se hetimi nuk ka mundësuar që të përcaktohej identiteti i atyre që kishin dhënë urdhrin për t’i strehuar e pajisur minatorët, por saktëson se “një masë e tillë nuk kishte sesi të merrej gjetiu përveçse, më së paku, në Ministrinë e Mbrojtjes”.
80. Nga një komunikatë e Ministrisë së Shëndetësisë që mban datën 15 qershor 1990 e që citohet në vendimin e 17 qershorit 2009 del se në spital ishin paraqitur 467 persona ndërmjet 13 e 15 qershorit 1990 në orën 6 pas veprimeve të dhunshme që ishin kryer, se aty ishin shtruar 112 vetë dhe se ishin regjistruar pesë raste vdekjeje.
81. Sipas të njëjtit vendim të datës 17 qershor 2009, punonjës policie, minatorë e më vonë edhe rekrutë ushtarakë të ngarkuar për t’i drejtuar ata kishin përdorur një forcë të tepruar kundër 574 demonstruesve e personave të tjerë – mes të cilëve kishte fëmijë, persona të moshuar e me vështirësi në shikim – të kapur e të mbajtur në gjendje burgimi në njësinë ushtarake të Mëgureles. Prej tij del se ndaj të burgosurve ishin ushtruar veprime të dhunshme e sulme me natyrë “psikike, fizike dhe seksuale”, se ata ishin burgosur në kushte të papërshtatshme dhe se përkujdesjet mjekësore që u ishin dhënë atyre kishin qenë të vonuara dhe jo siç duhej.
B. Hetimi penal
82. Veprimet e dhunshme të qershorit 1990, gjatë të cilave u vra bashkëshorti i Znjës Anca Mocanu, për të cilat Z. Marin Stoica pretendon se ka qenë viktimë dhe që çuan në shkatërrimin e plaçkitjen e selisë së shoqatës paditëse, u bënë shkak më 1990 për çeljen e një hetimi. Në fillim, ky i fundit ishte i copëzuar në disa qindra dosje më vete.
83. Më 29 maj 2009, seksioni ushtarak i prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë i drejtoi agjentit të Qeverisë një letër ku këto fakte përmblidheshin në mënyrën e mëposhtme: “Gjatë periudhës 1990‑1997, në regjistrin e prokurorisë pranë Gjykatës së Qarkut të Bukureshtit dhe të prokurorive rajonale janë regjistruar qindra ankesa lidhur me vjedhje, shkatërrime, grabitje me armë, cenime të tërësisë trupore, heqje të paligjshme lirie dhe vepra të tjera të kryera në kontekstin e vetëgjyqësive nga ana e disa minatorëve më 14 e 15 qershor 1990 në Bukuresht. Shumica e këtyre dosjeve janë mbyllur me pushimin e çështjeve për arsye të pamundësisë së identifikimit të personave përgjegjës.”
84. As Znjës Anca Mocanu, as shoqatës paditëse që ishte bërë palë civile në procedurë, nuk iu njoftua asnjë vendim për pushim çështjeje.
85. Më vonë, këto dosje janë bashkuar dhe kuadri i hetimit është zgjeruar duke filluar nga vitit 1997, pasi fakteve iu dha një cilësim i ndryshëm juridik i cili nënkuptonte një përgjegjësi penale në rrethana rënduese. Drejtues të lartë të ushtrisë dhe të shtetit u vunë njëri pas tjetrit nën akuzë dhe i gjithë hetimi iu kalua seksionit ushtarak të prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë të Drejtësisë (Parchetul de pe lângă Curtea Supremă de Justiţie - Secţia Parchetelor Militare) me numrin 160/P/1997.
86. Nga 22 tetori 1997 deri më 27 tetor 1999, 213 dosje tashmë të çelura iu bashkuan dosjes nr. 160/P/1997, nga të cilat 46 më 22 tetor 1997, 90 më 16 shtator 1998 dhe 69 më 22 tetor 1999.
87. Më 26 qershor 2000, seksionit ushtarak të prokurorisë së lartpërmendur iu drejtuan 748 dosje lidhur me ngjarjet e datave 13 deri 15 qershor 1990 e që kishin të bënin në veçanti me heqjet abuzive të lirisë të 13 qershorit 1990.
88. Në vendimin e datës 17 qershor 2009, gjendja e dosjes së krijuar pas bashkimit të të gjitha këtyre çështjeve përshkruhet në mënyrën e mëposhtme:
“Një pjesë e madhe e dokumenteve të përfshira në 250 vëllimet e dosjes janë fotokopje të cilat janë pa vulë dhe pa vërtetim njësie me origjinalin. Provat shkresore që figurojnë në secilin nga këto vëllime nuk janë të klasifikuara në mënyrë kronologjike, sipas subjektit apo sipas ndonjë kriteri tjetër, por në mënyrë të çrregullt. Disa prej tyre nuk kanë të bëjnë me çështjen (për shembull, vëllimi 150 përmban dosje zhdukjesh personash që kanë ndodhur pas qershorit 1990. (...)”
89. Më 16 shtator 1998, dosja nr. 160/P/1997 u nda në katër dosje dhe vazhdimi i hetimit iu besua seksionit ushtarak të prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë të Drejtësisë.
90. Më 8 janar 2001, tri nga këto katër dosje u bashkuan me njëra-tjetrën. Pas kësaj date, hetimi u përqendrua në dy çështje kryesore.
91. E para prej tyre kishte të bënte me fakte nxitjeje ose pjesëmarrjeje në vrasje në rrethana rënduese, konkretisht ndaj personit të Velicu‑Valentin Mocanu-t. Personat e akuzuar për këto vepra ishin presidenti rumun i asaj kohe dhe pesë drejtues të lartë të ushtrisë mes të cilëve figuronte edhe ministri i Brendshëm.
92. Aktakuza e 19 qershorit 2007 dhe vendimi i mëvonshëm për t’i ndarë akuzat i datës 19 korrik 2007 vënë në dukje se, me urdhër të ish-presidentit, forcat e armatosura kishin përdorur armët e tyre dhe municione luftarake kundër demonstruesve mbrëmjen e 13 qershorit dhe natën midis 13 dhe 14 qershorit 1990, duke vrarë katër persona, duke plagosur tre të tjerë e duke vënë në rrezik jetën e disa individëve të tjerë.
93. Më vonë, akuzat e ngritura kundër ish-presidentit u veçuan nga ato të drejtuara kundër të akuzuarve të tjerë, oficerë të rangut të lartë, dhe ai fitoi pushimin e çështjes.
94. Më 2 tetor 2013, kjo pjesë e parë e hetimit ishte ende e papërfunduar ndaj dy prej oficerëve në fjalë, meqenëse tre të tjerët kishin vdekur ndërkohë.
95. Dosja tjetër që lidhej me ngjarjet e qershorit 1990, konkretisht rreth padisë penale për dhunë të paraqitur nga Z. Marin Stoica dhe shkatërrimit e plaçkitjes së mjediseve të shoqatës paditëse, kishte të bënte me vepra nxitjeje dhe pjesëmarrjeje në akte kryengritjeje (subminarea puterii de stat), sabotimi (actele de diversiune), trajtimesh çnjerëzore (tratamentele neomenoase), provokimi të luftës (propaganda pentru război) si edhe gjenocidi në kuptimin e nenit 357 a) deri c) të Kodit Penal.
96. Personat e akuzuar për këto vepra ishin ish-presidenti, disa oficerë të rangut të lartë dhe disa dhjetëra civilë. Me akuzë për këto vepra u nisën ndjekje penale kundër ish-presidentit më 9 shtator 2005, dhe kundër ish-kreut të SRI-së më 12 qershor 2006.
97. Kjo pjesë e dytë e hetimit përfundoi me një vendim për pushim çështjeje, të miratuar më 17 qershor 2009. Ky vendim u la në fuqi nga një vendim i dhënë më 9 mars 2011 nga Gjykata e Lartë e Kasacionit dhe e Drejtësisë mbi bazën e ankimit të Z. Marin Stoica.
98. Etapat kryesore të hetimit jepen me hollësi këtu më poshtë.
1. Vendimi i miratuar më 16 shtator 1998
99. Më 16 shtator 1998, seksioni ushtarak i prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë të Drejtësisë u shpreh rreth dosjes nr. 160/P/1997 pas një hetimi lidhur me 63 persona viktima aktesh dhune dhe arrestimesh abuzive, midis të cilëve figuronin Znja Anca Mocanu me tre anëtarë të shoqatës paditëse, si edhe vetë kjo e fundit, dhe 11 persona të tjerë juridikë mjediset e të cilëve ishin shkatërruar e plaçkitur gjatë ngjarjeve që kishin ndodhur nga 13 deri më 15 qershor 1990.
100. Tri nga këto 63 viktima të përmendura në tabelën që përmbante vendimi i dhënë më 16 shtator 1998 ishin sulmuar dhe pastaj atyre u ishte hequr liria në selinë e televizionit publik. Në shtyllën e fundit lidhur me stadin e hetimeve të kryera, tabela përmend për këta tre persona se “nuk [ishte] hetuar rreth çështjes (cauza nu este cercetată)”.
101. Në vendimin në fjalë, seksioni ushtarak i prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë të Drejtësisë vinte në dukje se ankesa të tjera ishin të papërfunduara pranë prokurorisë civile.
102. Ai shtonte aty se vendimi i tij kishte të bënte gjithashtu edhe me “nja njëqind vrasje që mendohej se ishin kryer gjatë ngjarjeve të datave 13 deri më 15 qershor 1990, [viktimat e të cilave] mund të ishin djegur ose varrosur në varre të përbashkëta, në varreza fshatrash në afërsi të Bukureshtit (sidomos në Strëuleshti)”.
103. Ai vinte aty në dukje gjithashtu se hetimi nuk kishte mundësuar deri atëherë që të identifikoheshin personat të cilët e kishin vënë efektivisht në zbatim vendimin e ekzekutivit që t’u bëhej thirrje civilëve për të rivendosur rendin në Bukuresht. Sipas prokurorisë, kjo mangësi e hetimit lidhej me faktin “se nuk [ishte] pyetur asnjë nga personat që ushtronin detyra komanduese në kohën e ngjarjeve”, veçanërisht presidenti rumun që kishte qenë atëherë në detyrë, kryeministri dhe zëvendësi i tij, ministri i Brendshëm, kreu i policisë, drejtori i SRI-së dhe ministri i Mbrojtjes.
104. Në vendimin e tij, seksioni ushtarak urdhëroi ndarjen e çështjes në katër dosje më vete.
105. E para nga këto dosje kishte si objekt ndjekjen e hetimit lidhur me vrasjen me armë zjarri të katër civilëve, ndër të cilët bashkëshorti i paditëses.
106. Dosja e dytë synonte personat që kishin ushtruar detyra komanduese civile ose ushtarake. Autoritetet vendosën ta vazhdonin hetimin ndaj tyre, sidomos për shpërdorim pushteti kundër interesave publikë duke shkaktuar pasoja të rënda, vepër penale kjo e parashikuar nga neni 248 § 2 i Kodit Penal, si edhe të hetonin gjithashtu rreth rekrutimit të një grupi shoqëror përkrah forcave të rendit për të luftuar pjesë të tjera të shoqërisë.
107. Dosja e tretë kishte të bënte me vazhdimin e hetimeve që duhej të shpinin, nëse ishte rasti, te zbulimi i viktimave të tjera të vrara gjatë veprimeve të dhunshme të kryera nga data 13 deri më datën 15 qershor 1990 (paragrafi 102 i mësipërm).
108. Së fundi, duke çmuar se padia publike ishte e parashkruar, seksioni ushtarak i prokurorisë vendosi t’i arkivojë përfundimisht ndjekjet penale të nisura kundër personave të paidentifikuar pjesëtarë të forcave të rendit apo të grupeve të minatorëve për vepra grabitjeje me armë, heqjeje të paligjshme lirie, sjelljeje abuzive, hetimi abuziv, shpërdorimi pushteti ndaj interesash private, goditjeje me shkaktim plagësh, cenimi të tërësisë trupore, shkatërrimi pasurish, vjedhjeje, dhunimi banese, shpërdorimi detyre dhe kryerje marrëdhëniesh seksuale me dhunë, të kryera ndërmjet 13 dhe 15 qershorit 1990.
109. Kjo pjesë e fundit e vendimit të datës 16 shtator 1998 u shfuqizua me një vendim të dhënë më 14 tetor 1999 nga kreu i seksionit ushtarak të prokurorisë (Şeful Secţiei Parchetelor Militare) pranë Gjykatës së Lartë të Drejtësisë, i cili urdhëroi rinisjen e ndjekjeve penale dhe të hetimeve me qëllim të identifikimit të të gjitha viktimave, duke saktësuar lidhur me këtë qëllim të fundit se ishte vërtetuar që numri i viktimave e kapërcente gjerësisht atë të palëve të dëmtuara që përcaktoheshin në vendimin e kundërshtuar.
110. Përveç kësaj, vendimi i 14 tetorit 1999 saktësonte se hetuesit nuk kishin kryer deri atëherë hetime rreth “marrëveshjes së fshehtë të vërtetuar” ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe drejtuesve të ndërmarrjeve minerare “për organizimin e një aparati të mirëfilltë shtypës të paligjshëm”, marrëveshje e fshehtë e cila, sipas këtij vendimi, vërtetohej me provat e përfshira në dosje.
2. Vazhdimi i hetimit të drejtuar kundër disa drejtuesve të lartë të ushtrisë për pjesëmarrje në një vrasje
111. Pas vendimit të 16 shtatorit 1998, hetimet rreth vrasjes së Z. Velicu-Valentin Mocanu u vazhduan me numër dosjeje 74/P/1998 (shih paragrafin 105 të mësipërm).
112. Znja Anca Mocanu dhe dy fëmijët që ajo kishte pasur me viktimën u bënë palë civile.
113. Dy gjeneralë – ish-ministri i Brendshëm me zëvendësin e tij – dhe tre oficerë madhorë u morën të pandehur për vrasjet e kryera më 13 qershor 1990, në veçanti për atë të bashkëshortit të paditëses, përkatësisht më 12, 18 e 21 janar 2000 dhe më 23 shkurt 2000.
114. Një vendim (rechizitoriu) i datës 18 maj 2000 i dërgoi ata që të pestë për gjykim me arsyetimin se kishin kërkuar – dhe urdhëruar për sa u përkiste dy gjeneralëve – hapjen e zjarrit me municione luftarake, veprim ky që kishte shkaktuar vdekjen e katër individëve dhe plagë të rënda te nëntë persona të tjerë.
115. Me një vendim të datës 30 qershor 2003, Gjykata e Lartë e Drejtësisë ia kaloi çështjen seksionit ushtarak të prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë të Drejtësisë për një plotësim hetimi i cili duhej të ndreqte disa mangësi dhe i ricilësoi veprat si pjesëmarrje në vrasje në rrethana rënduese. Nga ana tjetër, ajo urdhëroi marrjen e disa masave hetimore.
116. Znja Anca Mocanu, disa palë të tjera civile dhe prokuroria e lartpërmendur bënë ankime në kasacion kundër këtij vendimi. Kërkesat e tyre ankimore u rrëzuan me një vendim të dhënë më 16 shkurt 2004 nga Gjykata e Lartë e Kasacionit dhe e Drejtësisë (e quajtur më parë Gjykata e Lartë e Drejtësisë, shih gjithashtu paragrafin 14 të mësipërm).
117. Pas rifillimit të hetimit, ndjekjet penale kundër pesë të akuzuarve u pushuan me një vendim të datës 14 tetor 2005. Meqenëse ky vendim u shfuqizua më 10 shtator 2006, ndjekjet u rinisën përsëri.
118. Pasi bëri plotësimin e hetimit sipas udhëzimeve që figuronin në vendimin e datës 30 qershor 2003, seksioni ushtarak i prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë dërgoi për gjykim ish-ministrin e Brendshëm, zëvendësin e tij dhe dy oficerë të tjerë madhorë të ushtrisë me një vendim të datës 27 korrik 2007. Ajo shpalli pushim të çështjes për sa i përkiste oficerit të pestë, të vdekur ndërkohë.
Sipas këtij vendimi, “mungesa e kundërveprimit të autoriteteve publike” dhe mungesa e një hetimi efektiv të menjëhershëm “e k[ishin] vënë në rrezik vetë ekzistencën e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës”.
119. Me një vendim të datës 17 dhjetor 2007, Gjykata e Lartë e Kasacionit dhe e Drejtësisë urdhëroi kthimin e çështjes pranë seksionit ushtarak të prokurorisë për të metë procedurale, me arsyetimin kryesor se ndjekjet penale kundër një ish-ministri i takonin një procedure të posaçme e cila kërkonte një leje parlamentare paraprake.
120. Më 15 prill 2008, seksioni ushtarak i prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë bëri një ankim kundër këtij vendimi, i cili u rrëzua më 23 qershor 2008.
121. Më 30 prill 2009, seksioni ushtarak i prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë e deklaroi veten jo kompetent për ta shqyrtuar këtë anë të çështjes me arsyetimin kryesor se personeli i policisë – duke përfshirë ministrin e Brendshëm – ishin kthyer në nëpunës civilë si pasojë e një reforme legjislative dhe se, për këtë arsye, gjykatat dhe prokuroritë ushtarake nuk kishin më kompetencë për të shqyrtuar krime të kryera prej tyre, edhe nëse ata i kishin kryer ato në periudhën kur ishin ende ushtarakë. Për rrjedhojë, ai hoqi dorë nga ajo në favor të njërit prej seksioneve penale të së drejtës së zakonshme të së njëjtës prokurori, konkretisht të seksionit të ndjekjes penale dhe të kriminalistikës (Secţia de urmărire penală şi criminalistică).
122. Me një vendim të datës 6 qershor 2013, ky i fundit i pushoi ndjekjet penale të drejtuara kundër ish-ministrit dhe zëvendësit të tij, të vdekur përkatësisht më 2 nëntor 2010 dhe më 4 shkurt 2013.
123. Me të njëjtin vendim, seksioni i lartpërmendur i prokurorisë e shpalli veten jo kompetent lidhur me dy të akuzuarit e fundit ende të gjallë, kolonelët C.V. dhe C.D., çështjet e të cilëve ia kaloi prokurorisë pranë Gjykatës Ushtarake Territoriale të Bukureshtit.
124. Ky hetim ishte i papërfunduar pranë kësaj prokurorie më 2 tetor 2013.
3. Akuzat e ngritura kundër ish-presidentit të Republikës lidhur me vdekjen e bashkëshortit të Znjës Anca Mocanu
125. Kjo pjesë e hetimit ka të bëjë me akuzat e ngritura kundër ish-presidentit të Republikës rumune lidhur me viktimat e vrara ose të plagosura nga të shtënat e kryera nga ushtria më 13 qershor 1990.
126. Ish-presidenti i Republikës, në detyrë nga viti 1989 deri më 1996 dhe nga viti 2000 deri më 2004, u mor si i pandehur më 19 qershor 2007, datë kur ai ushtronte detyrat si senator dhe ishte anëtar i Parlamentit. Ai akuzohej se i kishte “nxitur qëllimisht ushtarakët për të përdorur forcën kundër demonstruesve të sheshit të Universitetit dhe të lagjeve të tjera të kryeqytetit, një veprim ky viktima të të cilit kishin qenë disa persona të vrarë ose të plagosur me armë zjarri”. Këto vepra u cilësuan si pjesëmarrje lato sensu në vrasje në rrethana rënduese, krim që ndëshkohej nga nenet 174, 175 e) dhe 176 b) të Kodit Penal të bashkuara me nenin 31 § 2 të të njëjtit kod.
127. Më 19 korrik 2007, këto akuza u ndanë më vete nga dosja nr. 74/P/1998. Hetimi vazhdonte me numër dosjeje 107/P/2007.
128. Ndërkohë, më 20 qershor 2007, në një çështje tjetër pa lidhje me çështjen në fjalë, Gjykata Kushtetuese kishte dhënë një vendim që e përjashtonte kompetencën e juridiksioneve ushtarake për të gjykuar ose ndjekur penalisht të akuzuar civilë. Për rrjedhojë, përmes një vendimi të marrë më 20 korrik 2007, seksioni ushtarak i prokurorisë e shpalli veten jo kompetent për shqyrtimin e dosjes nr. 107/P/2007 dhe hoqi dorë prej saj në favor të njërit prej seksioneve penale të së drejtës së zakonshme.
129. Më 7 dhjetor 2007, Prokurori i Përgjithshëm i Rumanisë e shfuqizoi për të meta procedurale vendimin për marrje si të pandehur të datës 19 qershor 2007 dhe urdhëroi rinisjen e hetimit.
130. Më 10 tetor 2008, seksioni i ndjekjes penale dhe i kriminalistikës i prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë dha një vendim për pushim çështjeje, duke çmuar se nuk kishte lidhje shkakësore midis urdhrit për zbrazjen e sheshit të Universitetit të dhënë nga ish-presidenti dhe vendimit të marrë nga tre oficerë me miratimin e eprorëve të tyre – gjenerali A. dhe gjenerali C. (ministri i Brendshëm) – për të hapur zjarr mbi demonstruesit.
Për t’u shprehur kështu, prokuroria kishte qenë e mendimit se objektivat e planit të veprimit të hartuar më 12 qershor 1990 ishin realizuar deri në orën 9 të mëngjesit të së nesërmes dhe se ngjarjet që kishin pasuar, duke përfshirë urdhrat e mëvonshëm për të qëlluar, nuk kishin të bënin fare me këtë plan dhe ishin të paparashikueshëm për autorët e këtij të fundit.
131. Më 3 nëntor 2008, Znja Anca Mocanu dhe palë të tjera të dëmtuara e kundërshtuan këtë pushim çështjeje.
132. Më 18 dhjetor 2009, një trup gjykues prej tre gjyqtarësh të Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë i rrëzoi ankimet e tyre, duke i gjykuar ato si të papranueshme, të vonuara ose të pabazuara, sipas rastit. Ai doli në përfundimin se nuk kishte lidhje shkakësore ndërmjet veprimeve që i viheshin në ngarkim ish-presidentit dhe pasojave të paparashikueshme të demonstratave të cilat kishin shkaktuar vdekjen e disa personave. Madje, ai vuri në dukje se tri nga palët e dëmtuara – të veja ose të afërme të viktimave të vrara më 13 e 14 qershor 1990 –, midis të cilave figuronte Znja Anca Mocanu, kishin deklaruar në seancën e 11 dhjetorit 2009 se ato nuk kishin ndër mend ta kundërshtonin vendimin për pushim çështjeje të dhënë ndaj ish-presidentit dhe se ato dëshironin vetëm që personat përgjegjës për vrasjet të identifikoheshin e të ngarkoheshin me përgjegjësi. Pas rekursit të palëve civile, ky vendim u la në fuqi me një vendim të dhënë më 25 tetor 2010 nga një kolegj prej nëntë gjyqtarësh i Gjykatës së Lartë.
4. Veprimet hetimore për rrethanat e vdekjes së Z. Velicu‑Valentin Mocanu
133. Nga raporti mjekoligjor i autopsisë së bërë mbi bashkëshortin e Znjës Anca Mocanu del se ai kishte vdekur për pasojë të plagëve që i ishin shkaktuar me armë zjarri.
134. Paditësja e paraqiti kërkesën e saj të parë të posaçme për t’u bërë palë civile më 11 dhjetor 2000. Po atë ditë, paditësja dhe palët e tjera civile – të afërme të tre personave të tjerë të vrarë gjatë ngjarjeve të 13 dhe 14 qershorit 1990 – paraqitën një parashtresë të përbashkët me vërejtjet e tyre për sa i përkiste identitetit të personave përgjegjës për vdekjen e të afërmve të tyre si edhe me kërkesat e tyre për zhdëmtim.
135. Më 14 shkurt 2007, paditësja u dëgjua për herë të parë nga prokuroria, për qëllimet e hetimit. Në prani të avokatit që ajo kishte zgjedhur, ajo tregoi se i shoqi nuk ishte kthyer në shtëpi mbrëmjen e 13 qershorit 1990, se ajo ishte shqetësuar për këtë, se e kishte kërkuar më kot të nesërmen dhe se kishte mësuar më vonë nga shtypi se ai ishte vrarë me një plumb në kokë. Ajo shtoi se asnjë hetues apo përfaqësues i autoriteteve nuk i kishte vajtur ta takonte, as e kishte thirrur për qëllime të hetimit dhe se në shtëpi i kishin shkuar vetëm disa gazetarë. Ajo saktësoi se në kohën e ngjarjeve ajo ishte njëzet vjeç, se ishte e papunë dhe se po i rriste e vetme që prej vdekjes së bashkëshortit të saj të dy fëmijët që kishte pasur me të, një vajzë dymuajshe (të lindur në prill 1990) dhe një djalë dy vjeç.
136. Provat shkresore të dosjes që i janë paraqitur Gjykatës nuk japin mundësi për të marrë vesh nëse Znja Anca Mocanu është informuar për përparimet e hetimit rreth vrasjes në rrethana rënduese të bashkëshortit të saj pasi Gjykata e Lartë e Kasacionit dhe e Drejtësisë pati dhënë vendimin e saj të datës 17 dhjetor 2007 që urdhëronte kthimin e çështjes në prokurori.
5. Vazhdimi i hetimit rreth akuzave për trajtime çnjerëzore
137. Ndërmjet 26 nëntorit 1997 dhe 12 qershorit 2006 u nisën ndjekje penale kundër 37 personave – 28 civilë dhe nëntë ushtarakë – kryesisht për akte kryengritjeje të kryera në kuadër të ngjarjeve të qershorit 1990. Ish-presidenti rumun figuronte midis personave të ndjekur. Ai u mor si i pandehur më 9 qershor 2005 për akuzat e pjesëmarrjes në një gjenocid (neni 357, pikat a), b) dhe c) të Kodit Penal), të provokimit të luftës (neni 356 i Kodit Penal), të trajtimeve çnjerëzore (neni 358 i Kodit Penal), të kryengritjes (neni 162 i Kodit Penal) dhe të sabotimit (neni 163 i Kodit Penal).
Pjesa më e madhe e 28 civilëve të akuzuar ishin drejtorë të ndërmarrjeve minerare, krerë sindikatash të minatorëve dhe nëpunës të lartë të Ministrisë së Minierave.
138. Më 16 shtator 1998, kësaj pjese të hetimit iu caktua numri i dosjes 75/P/1998 (paragrafi 106 i mësipërm).
139. Më 19 dhjetor 2007, seksioni ushtarak i prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë urdhëroi ndarjen e çështjes që ishte objekt i dosjes nr. 75/P/1998 në dy pjesë, njëra që kishte të bënte me akuzat e drejtuara kundër 28 civilëve – mes të cilëve përfshiheshin ish-presidenti rumun dhe ish-kreu i SRI-së –, kurse tjetra që lidhej me akuzat e zgjedhura kundër nëntë ushtarakëve. Hetimi që kishte të bënte me 28 civilët duhej të ndiqej pranë seksionit civil kompetent të po asaj prokurorie.
140. Me një vendim të datës 27 shkurt 2008, kryeprokurori i seksionit ushtarak të prokurorisë e shfuqizoi vendimin e 19 dhjetorit 2007 me arsyetimin se e gjithë çështja dhe të gjithë të akuzuarit, si civilë ashtu edhe ushtarakë, i përkisnin kompetencës së njërit prej seksioneve civile të prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë, për arsye të bashkëlidhjes që ekzistonte midis veprave të ndjekura.
141. Më 29 prill 2008, në përputhje me këtë vendim, seksioni ushtarak i prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë e shpalli veten jo kompetent gjithashtu edhe për të shqyrtuar akuzat penale të drejtuara kundër nëntë oficerëve – mes të cilëve figuronin disa gjeneralë, ish-kreu i policisë dhe ish-ministri i Brendshëm – dhe hoqi dorë prej kësaj në favor të njërit prej seksioneve të së drejtës së zakonshme.
142. Vendimi i 29 prillit 2008 hartonte një listë prej më shumë se një mijë personash që ishin mbajtur dhe u ishin nënshtruar keqtrajtimeve, veçanërisht në mjediset e Shkollës së Lartë të Oficerëve të Bëneasës dhe të njësisë ushtarake të Mëgureles. Z. Marin Stoica përfshihej në këtë listë viktimash. Vendimi në fjalë përmbante gjithashtu edhe listën e personave juridikë që kishin pësuar dëme gjatë shtypjes së ushtruar nga 13 deri më 15 qershor 1990. Shoqata paditëse figuronte aty.
143. Ky vendim përmendte gjithashtu edhe “identifikimin e rreth 100 personave të vdekur gjatë ngjarjeve të 13‑15 qershorit 1990”.
144. Ajo përmbante gjithashtu listën e ndërmarrjeve publike që kishin vënë punëtorë në dispozicion të autoriteteve për ndërhyrjen në Bukuresht. Kjo listë përfshinte në veçanti 20 ndërmarrje minerare të shpërndara në të gjithë vendin dhe uzinat e 11 qyteteve (Këlërashi, Aleksandria, Alba-Julia, Krajova, Konstanca, Deva, Xhurxhu, Galaci, Brashov, Slatina dhe Buzau), si edhe tri uzina të Bukureshtit.
145. Pas këtij vendimi, më 5 maj 2008, prokurorët ushtarakë ia drejtuan seksionit kompetent të prokurorisë të 209 vëllimet e dosjes nr. 75/P/1998 – me gjithsej rreth 50 000 faqe.
146. Më 26 maj 2008, seksioni i prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë që e kishte marrë të gjithë dosjen, konkretisht seksioni i ndjekjes penale dhe i kriminalistikës, e shpalli veten jo kompetent dhe hoqi dorë nga çështja në favor të një seksioni tjetër të së njëjtës prokurori, konkretisht Drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Kriminalitetit të Organizuar dhe të Terrorizmit (Direcţia de Investigare a Infracţiunilor de Criminalitate Organizată şi Terorism – DIICOT).
147. Me një vendim të datës 10 mars 2009, drejtoria kompetente e prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë – DIICOT-ja – dha pushimin e çështjes lidhur me ish-kreun e SRI-së për arsye parashkrimi lidhur me akuzën për kryengritje, si edhe pushimin e çështjes për shumicën e 27 civilëve të ndjekur penalisht – drejtorë ndërmarrjesh minerare, krerë sindikatash minatorësh, nëpunës të lartë të Ministrisë së Minierave dhe të administratës vendore – për arsye mungese të elementeve që e përbënin veprën penale.
148. Për t’u shprehur kështu, prokuroria kishte çmuar se, në cilësitë e tyre përkatëse si kryetar shteti, ministër i Brendshëm, zëvendësministër apo kreu i policisë, disa nga të akuzuarit ishin mbajtësit e fuqisë publike dhe se do të kishte qenë e palogjikshme të mendohej që ata kishin mundur të kryenin akte me natyrë të tillë që ta dobësonin pushtetin e tyre. Për sa u përkiste minatorëve dhe punëtorëve të tjerë që kishin shkuar në Bukuresht më 14 qershor 1990, prokuroria kishte qenë e mendimit se ata ishin “shndërruar në forca rendi” dhe se ata ishin të bindur se veprimet e tyre i shërbenin pushtetit shtetëror. Ajo kishte vënë dukje përveç kësaj se ndërhyrja e tyre kishte dalë e panevojshme sepse aksioni i kryer nga desantët në selinë e televizionit e kishte mundësuar rivendosjen e rendit në kryeqytet rreth orës një më 14 qershor 1990.
149. Nga ana tjetër, prokuroria hoqi dorë nga ndjekjet penale ndaj tre prej të akuzuarve të vdekur ndërkohë.
150. Së fundi, DIICOT-ja e shpalli veten jo kompetente për të shqyrtuar pjesën e mbetur të çështjes – domethënë veprat e trajtimeve çnjerëzore, të sabotimit, të provokimit të luftës dhe të gjenocidit në kuptimin e nenit 357 a) deri c) të Kodit Penal – dhe hoqi dorë prej saj në favor të seksionit të ndjekjes penale dhe të kriminalistikës. Këto vepra kishin të bënin vetëm me nëntë prej personave që ishin akuzuar gjatë periudhës që shkonte nga viti 2000 deri më 2006, ndër të cilët ish-presidenti.
151. Më 17 qershor 2009, u dha një vendim për pushim çështjeje për sa u përkiste akuzave në fjalë, përmbajtja e të cilit parashtrohet këtu më poshtë.
6. Vendimi për pushim çështjeje i 17 qershorit 2009
152. Më 17 qershor 2009, prokuroria pranë Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë dha një vendim për pushim çështjeje lidhur me dosjen që kishte të bënte kryesisht me akuzat për trajtime çnjerëzore të ngritura mbi bazën e 856 ankesave të palëve të dëmtuara nga veprimet e dhunshme të kryera nga 13 deri më 15 qershor 1990.
153. Vendimi në fjalë vinte në dukje se ish-kreu i shtetit nuk ishte pyetur si i pandehur gjatë hetimit.
154. Ai i përshkruante të gjitha veprimet e dhunshme – të cilësuara si tejet mizore – të cilat ishin ushtruar ndaj disa qindra personash.
155. Aty vihej në dukje se hetimet e kryera për rreth nëntëmbëdhjetë vjet nga prokuroritë civile, pastaj nga prokuroritë ushtarake, nuk e kishin bërë të mundur që të përcaktohej identiteti i sulmuesve dhe shkalla e implikimit të forcave të rendit. Pjesa përkatëse e këtij vendimi shprehet kështu:
“Hetimet e kryera për rreth nëntëmbëdhjetë vjet nga prokuroritë civile, pastaj nga prokuroritë ushtarake, dhe rezultatet e të cilave janë përfshirë në dosje (...) nuk e kanë bërë të mundur që të përcaktohet identiteti i minatorëve sulmues, shkalla e implikimit të forcave të rendit dhe të pjesëtarëve e simpatizantëve të FSN-së në veprimet e tyre, si edhe roli e implikimi i tyre në vetëgjyqësitë e kryera më 14 e 15 qershor 1990 kundër banorëve të kryeqytetit.”
156. Ky vendim shpallte heqjen dorë nga ndjekja penale ndaj njërit prej të akuzuarve të vdekur ndërkohë dhe jepte për tetë të akuzuarit e tjerë pushimin e çështjes (scoatere de sub urmărire penală) për arsye parashkrimi për sa u përkiste veprave penale të parashkrueshme, konkretisht fshehjes së keqbërësve.
157. Për sa u takonte akuzave lidhur me veprat penale të paparashkrueshme, sidomos trajtimet çnjerëzore që u viheshin në ngarkim të akuzuarve, vendimi shpallte pushime të çështjeve për arsye mungese të elementeve përbërës të veprave penale të ndjekura ose sepse nuk ishte provuar vërtetësia e veprave të denoncuara.
158. Në lidhje me këtë, vendimi vinte në dukje se kryetari i shtetit në detyrë në kohën e ngjarjeve nuk mund të qortohej për asnjë trajtë pjesëmarrjeje në veprimet e përbashkëta të minatorëve dhe të forcave të rendit, meqenëse ai ishte kufizuar vetëm duke i miratuar aktet e kryera më 13 qershor 1990 në mëngjes dhe ndërhyrjen e ushtrisë gjatë pasdites së të njëjtës ditë, me qëllimin e shpallur për të rivendosur rendin. Aty përmendej gjithashtu se nuk kishte të dhëna (date certe) të tilla që të bënin që kryetarit të shtetit t’i viheshin në ngarkim përgatitja e ardhjes së minatorëve në Bukuresht dhe porositë që u ishin dhënë atyre. Aty saktësohej se kërkesa që u ishte drejtuar minatorëve nga kreu i shtetit për t’i mbrojtur institucionet e shtetit dhe për të rivendosur rendin – pas së cilës 1 021 personave u ishte hequr liria dhe ata kishin pësuar dëmtime trupore – mund të cilësohej vetëm si nxitje për të kryer veprën penale të goditjeve me shkaktim plagësh dhe se kjo vepër penale ishte parashkruar.
159. Prokuroria qe e mendimit se demonstruesit dhe personat e tjerë të vënë në shënjestër të minatorëve u përkisnin etnive të ndryshme (rumune, rome, hungareze) e kategorive të ndryshme shoqërore (intelektualë, studentë, nxënës, por edhe punëtorë), dhe se ata nuk mund të konsideroheshin pra si një grup i njësishëm apo një bashkësi e identifikueshme sipas ndonjë kriteri objektiv, gjeografik, historik, shoqëror apo tjetër, arsye kjo për të cilën veprat e denoncuara nuk mund të cilësoheshin si gjenocid. Duke u mbështetur në jurisprudencën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, prokuroria qe për më tepër e mendimit se personat të cilëve u ishte hequr liria nuk u ishin nënshtruar në mënyrë sistematike keqtrajtimeve.
160. Vendimi vinte gjithashtu në dukje se fjalimi me anë të të cilit kreu i shtetit i kishte nxitur minatorët për ta pushtuar e mbrojtur sheshin e Universitetit kundër demonstruesve që ishin ngulur aty, nuk mund të cilësohej si provokim i luftës, përderisa i interesuari nuk kishte kërkuar shpërthimin e një konflikti por u kishte kërkuar përkundrazi minatorëve “për t’u dhënë fund teprimeve dhe akteve të përgjakshme”.
161. Aty vihej gjithashtu në dukje se minatorët ishin frymëzuar prej bindjesh personale thjeshtëzuese të lindura nga një histeri kolektive, të cilat i kishin shtyrë ata për t’u paraqitur si arbitra të skenës politike dhe si rojtarë të zellshëm të regjimit politik – për çka udhëheqësit i kishin njohur si të tillë – të autorizuar për t’i “ndëshkuar” ata që e kundërshtonin legjitimitetin e tij. Madje, prokurori vuri në dukje se ligji kërkonte që trajtimet çnjerëzore të dënueshme të drejtoheshin ndaj “personash të rënë në duart e armikut” dhe çmoi se ky kusht nuk përmbushej në çështjen në fjalë, meqenëse minatorët nuk kishin pasur më kundërshtarë ndaj të cilëve të luftonin më 14 qershor 1990.
162. Në lidhje me akuzat për torturë, prokurori qe i mendimit se ligji rumun nuk e parashikonte krimin e torturës në kohën e ngjarjeve.
163. Vendimi i 17 qershorit 2009 analizon secilën nga akuzat ndaj secilit të akuzuar, por ai nuk përcakton asnjë nga viktimat me emrin e vet dhe nuk bën fjalë për keqtrajtimet e denoncuara nga secila prej tyre, duke iu referuar një aneksi i cili nuk i është paraqitur Gjykatës. Ai flet për viktimat sipas numrit e përkatësisë së tyre në këtë apo atë kategori, duke përmendur, për shembull, 425 personat e kapur e të mbajtur si të burgosur në mjediset e Shkollës së Oficerëve të Bëneasës ose 574 demonstruesit e arrestuar e të burgosur në mjediset e bazës ushtarake të Mëgureles.
7. Ankimet e ushtruara kundër vendimit për pushim çështjeje të 17 qershorit 2009
164. Kundër vendimit për pushim çështjeje të 17 qershorit 2009 u bë një ankim nga shoqata paditëse, persona të tjerë juridikë dhe individë, të cilin kryeprokurori i seksionit kompetent të prokurorisë së Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë e hodhi poshtë më 3 shtator 2009. Për t’u shprehur ashtu, prokuroria kishte çmuar se nuk ishte kryer asnjë vepër e tillë që të mund të cilësohej si krim kundër njerëzimit, siç ishin trajtimet çnjerëzore ose gjenocidi.
165. Ankim kundër të njëjtit vendim bënë edhe Z. Marin Stoica dhe katër palë të tjera të dëmtuara. Kërkesat e tyre u rrëzuan më 6 nëntor 2009. Z. Marin Stoica bëri rekurs në Gjykatën e Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë.
166. Më 9 mars 2011, pasi e rrëzoi prapësimin për papranueshmëri në lidhje me fuqinë e gjësë së gjykuar, të kërkuar nga ish-kreu i shtetit, Gjykata e Lartë e Kasacionit dhe e Drejtësisë mori vendim rreth themelësisë së vendimit për pushim çështjeje duke e rrëzuar rekursin e paraqitur nga paditësi.
167. Në vendimin e saj, ajo e cilësoi sulmin e pësuar prej paditësit si cenim të rëndë të tërësisë trupore (neni 182 i Kodit Penal), arrestim abuziv, keqtrajtim (neni 267 i Kodit Penal), torturë, shtypje të padrejtë dhe shantazh. Ajo çmoi se vendimi i 17 qershorit 2009 e kishte dhënë me të drejtë një vendim për pushim çështjeje me arsyetimet se veprat penale të ndjekura penalisht ishin parashkruar dhe se tortura nuk parashikohej si krim në kohën e ngjarjeve.
168. Por, nga ana tjetër, ajo nuk u shpreh rreth fajësimit për trajtime çnjerëzore (neni 358 i Kodit Penal) që kishte qenë objekt i vendimit të datës 29 prill 2008, në të cilin paditësi figuronte me emër në cilësi viktime trajtimesh çnjerëzore që u viheshin në ngarkim pesë oficerëve madhorë.
8. Përmbledhje dhe saktësime rreth masave hetimore
169. Sipas Qeverisë, masat kryesore hetimore të realizuara gjatë periudhës që shkon nga viti 1990 deri më 2009 kanë qenë këto: mbi 840 dëgjime palësh të dëmtuara, mbi 5 724 dëgjime dëshmitarësh, mbi 100 ekspertiza mjekoligjore. Rezultatet e këtyre masave ishin regjistruar me shkrim në disa mijëra faqe.
a) Masat hetimore në lidhje veçanërisht me Z. Stoica
170. Më 18 qershor 2001, ndërkohë që ishte pritur nga një prokuror i seksionit ushtarak të prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë të Drejtësisë, Z. Marin Stoica paraqiti një ankesë zyrtare lidhur me veprimet e dhunshme që ai thoshte se kishte pësuar natën midis 13 dhe 14 qershorit 1990.
171. Ankesa e tij u përfshi në dosjen e hetimit të çelur për akuza të tjera, konkretisht për trajtime çnjerëzore (dosja nr. 75/P/1998).
172. Më 18 tetor 2002, për nevojat e hetimit rreth sulmit viktimë e të cilit ai e quante veten, paditësi iu nënshtrua në Institutin Shtetëror të Mjekësisë Ligjore një ekzaminimi për të cilin u bë një raport mjekoligjor. Raporti në fjalë vinte në dukje se dëmtimet e përshkruara në dosjen e hartuar nga shërbimi i urgjencave mjekësore më 14 qershor 1990 kishin kërkuar tri deri në pesë ditë mjekime dhe se ato nuk e kishin vënë në rrezik jetën e të interesuarit.
173. Aty vihej gjithashtu në dukje se paditësi ishte shtruar në spital për kriza të rënda epilepsie nga 31 tetori deri më 28 nëntor 1990, në shkurt 1997, në mars 2002 dhe në gusht të po atij viti, dhe se tek ai ishte diagnostikuar një epilepsi sekondare post-traumatike si edhe çrregullime të tjera vaskulare cerebrale (AIT – aksident iskemik kalimtar). Raporti saktësonte se epilepsia post-traumatike ishte shfaqur pas një traume të pësuar më 1966.
174. Më 9 dhe 17 maj 2005, paditësi u dëgjua dhe mundi ta parashtrojë pikëpamjen e tij rreth fakteve të denoncuara si edhe rreth kërkesave të tij për zhdëmtim të dëmit material e të dëmit moral viktimë të të cilëve ai e quante veten.
175. Me një letër të datës 23 maj 2005, seksioni ushtarak i prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë e informoi të interesuarin se ankesa që ai kishte paraqitur për të denoncuar traumat që i ishin shkaktuar nga disa ushtarakë të paidentifikuar më 13 qershor 1990, dhe të cilat kishin çuar në shtrimin e tij në spital “në gjendje kome”, ishte në hetim e sipër në kuadër të dosjes nr. 75/P/1998.
176. Nga një vërtetim i lëshuar më 26 prill 2006 del se, sipas shënimeve të bëra në regjistrin e seksionit ushtarak të prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë, paditësi ishte pritur nga një prokuror më 2002, 2003, 2004, 2005 dhe 2006, kryesisht për nevojat hetimore ose për t’u interesuar për gjendjen ku kishte mbërritur hetimi. Paditësi paraqiti dy padi të reja, përkatësisht më 12 shtator dhe më 4 tetor 2006.
177. Më 23 prill 2007, prokurori mori në pyetje dy dëshmitarë të caktuar nga i interesuari.
178. I dëgjuar më 9 maj 2007 në cilësinë e palës së dëmtuar, paditësi i kërkoi prokurorit ushtarak që të urdhëronte një kundërekspertizë mjekoligjore, duke çmuar se ekspertiza e realizuar më 2002 nuk e nënvizonte aspak seriozitetin e dëmtimeve të pësuara prej tij më 1990 as atë të pasojave që rezultonin prej tyre.
179. Prokurori urdhëroi një ekspertizë të re. Ai i ftoi mjekët ligjorë të kërkonin në veçanti nëse kishte ndonjë lidhje shkakësore ndërmjet traumës së pësuar nga paditësi në qershor 1990 dhe patologjive nga të cilat ai vuante në datën kur ishte urdhëruar ekspertiza.
180. Gjatë pyetjes të tij, i interesuari u ftua të shikonte një regjistrim pamor të ngjarjeve të 13 qershorit 1990, sidomos ato që kishin ndodhur në selinë e televizionit publik. I interesuari e njohu aty veten dhe kërkoi që dokumenti pamor të përfshihej në dosjen e hetimit.
181. Më 25 qershor 2007, raporti i ri i ekspertizës u përfshi në dosje. Duke u mbështetur edhe ky mbi raportin mjekësor të hartuar më 14 qershor 1990, ai vinte në dukje se dëmtimet e paditësit kishin kërkuar tri deri në pesë ditë mjekime dhe se ato nuk e kishin vënë në rrezik jetën e të interesuarit. Ai saktësonte se nuk kishte lidhje shkakësore ndërmjet traumës së pësuar natën midis 13 e 14 qershorit 1990 dhe patologjive nga të cilat vuante paditësi, të cilat kishin qenë shkak për shtrime të shumta më vonë në spital.
182. Më 30 tetor 2007, me kërkesën e paditësit, në dosje u përfshinë kartelat e mbajtjes së tij në observacion, të plotësuara më 1992 nga shërbimi i urgjencave i spitalit të Bukureshtit.
183. Më parë, komisioni mjekësor pranë Arkës Kombëtare të Sigurimeve Shoqërore i kishte lëshuar paditësit një vërtetim që mbante datën 24 maj 2007, nga i cili dilte se i interesuari vuante nga një “deficiencë globale e theksuar” me pasojë një paaftësi të plotë për punë. Pjesët përkatëse të këtij vërtetimi shprehen kështu:
“Duke parë dokumentet mjekësore të përfshira në dosjen e pacientit, ato që janë shtuar aty kohët e fundit (...) dhe ekzaminimin psikiatrik klinik që mban datën 24 maj 2007, komisioni i specializuar dhe komisioni epror përcaktojnë diagnozën klinike të mëposhtme: Çrregullime personaliteti të përziera të rënduara nga shkaqe organike. Traumë kranikocerebrale akute 1990 (rrahje). Epilepsi me kriza të pjesshme të përgjithësuara në mënyrë sekondare, të vërtetuara klinikisht dhe me EEG, aktualisht të rralla (...). Çrregullime supraventrikulare në anamnezë (episode dridhmash zemre (flutter) dhe (...) bllok aurikuloventrikular me kthim në ritmin e sinusit (...) pas kardioversionit.
Diagnoza funksionale: deficiencë globale e theksuar.
Aftësia për punë: humbje e plotë, shkalla e 2-të e invaliditetit.
Paaftësi përshtatjeje: 72%”
184. Ndërkohë, më 10 maj 2004, prokuroria pranë Gjykatës së Qarkut të Bukureshtit kishte dhënë një vendim për pushim çështjeje në një dosje tjetër, pas paraqitjes nga ana e paditësit të një ankese për tentativë vrasjeje të bazuar mbi të njëjtat fakte.
b) Disa saktësime rreth hetimit të padisë së paraqitur nga shoqata paditëse duke u bërë palë civile
185. Më 9 korrik 1990, njësia ushtarake 02515 e Bukureshtit i drejtoi shoqatës paditëse një letër me anë të së cilës ajo e informonte atë se “materiali i gjetur më 14 qershor 1990 [në selinë e shoqatës] [ishte] inventarizuar nga përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme (Procuratura Generală) dhe ishte depozituar me procesverbal në selinë e Prokurorisë së Bukureshtit (Procuratura Municipiului Bucureşti)”.
186. Më 22 korrik 1990, në selinë e shoqatës paditëse shkuan dy oficerë policie. Ata konstatuan se xhamat i ishin thyer dhe bravat i ishin shkatërruar, dhe se objektet që ndodheshin aty ishin “plaçkitur të gjitha”. Ata hartuan një procesverbal në prani të drejtuesve të shoqatës dhe të një dëshmitari.
187. Më 26 korrik 1990, shoqata paditëse iu drejtua Prokurorisë së Bukureshtit me një padi penale, duke denoncuar plaçkitjen e selisë së saj si edhe sulmet që u ishin bërë disa prej anëtarëve të saj më 14 qershor 1990 si edhe duke kërkuar kthimin e të gjithë materialit dhe dokumenteve të konfiskuara. Ajo u bë palë civile në procedurën penale.
188. Më 22 tetor 1997, Inspektorati i Përgjithshëm i Policisë i dërgoi prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë të Drejtësisë 21 dosje që ishin çelur mbi bazë padish penale të bëra nga individë e persona juridikë dhe që u referoheshin ngjarjeve të 13 dhe 14 qershorit 1990. Mes tyre ndodhej dosja nr. 1476/P/1990, e cila kishte të bënte me ankesën e shoqatës paditëse që denonconte keqtrajtimet e shkaktuara ndaj disa prej anëtarëve të saj. Inspektorati i Përgjithshëm i Policisë e ftoi gjithashtu prokurorinë që t’i tregonte mënyrat që duhej të ndiqeshin për të mbledhur dëshmi në kuadër të hetimit.
189. Shoqata paditëse iu drejtua rregullisht prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë të Drejtësisë (më vonë Gjykata e Lartë e Kasacionit dhe e Drejtësisë) për t’u interesuar për ecurinë e hetimit ose për të kërkuar plotësime hetimore, deri sa kjo e fundit doli në vendimin për pushim çështjeje të shpallur më 17 qershor 2009.
(...)
LIGJI
I. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENEVE 2 DHE 3 TË KONVENTËS
199. Znja Anca Mocanu dhe Z. Marin Stoica mbrojnë mendimin se shteti i paditur nuk i ka përmbushur detyrimet e tij që rrjedhin nga pjesa procedurale e neneve 2 dhe 3 të Konventës. Sipas tyre, këto dispozita e detyronin shtetin për të kryer një hetim efektiv, të paanshëm e të shpejtë që të mund të çonte në identifikimin dhe në dënimin e personave përgjegjës për shtypjen me armë të demonstratave të 13 e 14 qershorit 1990, gjatë së cilës Z. Velicu-Valentin Mocanu, bashkëshorti i paditëses së parë, u vra me armë zjarri dhe paditësi i dytë iu nënshtrua keqtrajtimeve.
Pjesët përkatëse të nenit 2 në lidhje me çështjen në fjalë shprehen kështu:
Neni 2
“1. E drejta e çdo njeriu për jetën mbrohet me ligj. Vdekja nuk mund t’i shkaktohet qëllimisht askujt, [...]”
Neni 3 shprehet:
Neni 3
“Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, as dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.”
A. Rreth kompetencës ratione temporis të Gjykatës
200. Gjykata vë në dukje se, para Dhomës së Madhe, Qeveria e paditur nuk e ka kërkuar moskompetencën ratione temporis të Gjykatës. Megjithatë, ajo ka parashtruar se Gjykata nuk mund t’i shqyrtonte pretendimet e ngritura pranë saj përveç se për aq sa ato kanë të bëjnë me periudhën pas 20 qershorit 1994, datë e hyrjes në fuqi të Konventës ndaj Rumanisë.
201. Gjykata rikujton se, në çdo çështje që i paraqitet asaj, ajo duhet të sigurohet që është kompetente për ta shqyrtuar një kërkesëpadi, dhe se asaj i duhet kështu që në çdo fazë të procedurës ta shqyrtojë pikën lidhur me kompetencën e saj edhe sikur të mos jetë bërë asnjë kërkesë për prapësim në këtë drejtim (Blečić k. Kroacisë [DhM], nr. 59532/00, § 67, GjEDNj 2006‑III).
1. Vendimi i Dhomës
202. Dhoma ka gjykuar se detyrimi procedural për të kryer një hetim efektiv, i cili rrjedh nga nenet 2 dhe 3 të Konventës, ishte bërë një detyrim më vete dhe i pavarur që mund t’i diktohet një shteti edhe në rast cenimi ndaj jetës ose ndaj tërësisë trupore i cili ka ndodhur përpara datës së hyrjes në fuqi të Konventës ndaj këtij të fundit. Për të vendosur kështu, ajo ka rikujtuar parimet e parashtruara në vendimin Šilih k. Sllovenisë ([DhM], nr. 71463/01, §§ 159-163, 9 prill 2009) dhe të zbatuara më vonë në disa çështje të drejtuara kundër Rumanisë në të cilat bëhej fjalë për ngjarjet e dhjetorit 1989 (Agache me të tjerë k. Rumanisë, nr. 2712/02, §§ 70-73, 20 tetor 2009, Şandru me të tjerë k. Rumanisë, nr. 22465/03, § 59, 8 dhjetor 2009, dhe Shoqata “21 Dhjetori 1989” me të tjerë k. Rumanisë, nr. 33810/07 dhe nr. 18817/08, §§ 114-118, 24 maj 2011).
203. Ajo ka çmuar gjithashtu se, në mënyrë që ky detyrim procedural të gjente vend për zbatim, duhej të vërtetohej se, pas ratifikimit të Konventës nga vendi në fjalë, ishin vënë ose ishte dashur të viheshin në jetë një pjesë e rëndësishme e masave procedurale. Duke i zbatuar këto parime në çështjen në fjalë, Dhoma ka vënë re se procedura penale lidhur me shtypjen e dhunshme të demonstratave të qershorit 1990 ishte çelur më 1990, se ajo kishte vazhduar pas 20 qershorit 1994 dhe se një pjesë e rëndësishme e masave procedurale ishte kryer pas kësaj date.
204. Prandaj, Dhoma e ka shpallur veten kompetente ratione temporis për të shqyrtuar rreth pretendimit për shkelje të pjesës procedurale të neneve 2 dhe 3 të Konventës, duke e rrëzuar kërkesën për prapësim që ishte ngritur me këtë arsye nga Qeveria vetëm ndaj kërkesëpadisë së Z. Stoica.
2. Vlerësimi i Gjykatës
205. Në vendimin që ajo ka dhënë në çështjen Janowiec me të tjerë k. Rusisë ([DhM], nr. 55508/07 dhe nr. 29520/09, §§ 128-151, 21 tetor 2013), Gjykata ka bërë disa saktësime plotësuese lidhur me kufijtë e kompetencës së saj kohore – të përkufizuara më parë në vendimin Šilih (të cituar më lart, §§ 162-163) – për sa i përket detyrimit procedural për të hetuar për vdekje ose keqtrajtime të ndodhura përpara datës së hyrjes në fuqi të Konventës ndaj shtetit të paditur (“datës kritike”).
206. Ajo ka nxjerrë aty, si kryesor, përfundimin se kjo kompetencë kohore kufizohej rreptësisht te veprimet me natyrë procedurale që ishin kryer ose që ishte dashur të kryheshin pas hyrjes në fuqi të Konventës ndaj shtetit të paditur dhe se ajo varej nga ekzistenca e një lidhjeje të vërtetë ndërmjet faktit përftues të detyrimit procedural që rrjedh nga nenet 2 e 3 dhe hyrjes në fuqi të Konventës. Ajo ka shtuar se kjo lidhje përcaktohej pikësëpari nga afërsia në kohë midis faktit përftues dhe datës kritike, që duhej t’i ndante vetëm një periudhë relativisht e shkurtër kohore e cila të mos i kapërcente normalisht dhjetë vjet (Janowiec me të tjerë, i cituar më lart, § 146), duke saktësuar njëkohësisht se ky kriter afërsie në kohë nuk ishte në vetvete vendimtar. Lidhur me këtë, ajo ka vënë në dukje se kjo lidhje mund të vërtetohej vetëm në qoftë se pjesa thelbësore e hetimit – domethënë kryerja e një pjese të rëndësishme të masave procedurale që synojnë të vërtetojnë veprat dhe të ngarkojnë me përgjegjësi autorët e tyre – ishte bërë ose ishte dashur të bëhej pas hyrjes në fuqi të Konventës (Janowiec me të tjerë, i cituar më lart, § 147).
207. Në çështjen në fjalë, Gjykata rikujton se pretendimet e ngritura mbi bazën e pjesës procedurale të neneve 2 dhe 3 të Konventës kanë të bëjnë me hetimin lidhur me shtypjen me armë të kryer më 13 e 14 qershor 1990 kundër demonstratave antiqeveritare, shtypje e cila i ka kushtuar jetën bashkëshortit të paditëses së parë dhe ka cenuar tërësinë fizike të paditësit të dytë. Ky hetim ka filluar më 1990, pak pas këtyre ngjarjeve, duke u bërë shkak ndër të tjera për disa masa hetimore që synonin në radhë të parë identifikimin e viktimave të vrara me armë zjarri, me të cilave figuronte bashkëshorti i paditëses së parë.
208. Duhet konstatuar pra se midis faktit përftues dhe hyrjes në fuqi të Konventës ndaj Rumanisë, më 20 qershor 1994, kanë kaluar katër vjet. Kjo periudhë kohore është relativisht e shkurtër. Ajo është më pak se dhjetë vjet e më e vogël sesa ato për të cilat bëhej fjalë në çështje të tjera të ngjashme të shqyrtuara prej Gjykatës (Şandru me të tjerë, i cituar më lart, §§ 55‑59, Paçacı me të tjerë k. Turqisë, nr. 3064/07, §§ 63-66, 8 nëntor 2011, dhe Jularić k. Kroacisë, nr. 20106/06, §§ 45-51, 20 janar 2011).
209. Përpara datës kritike, veprimet procedurale të kryera në kuadrin e hetimit kishin qenë të rralla. Pikërisht pas kësaj date, sidomos duke nisur nga viti 1997, hetimi është konkretizuar me bashkimin e dhjetëra çështjeve më parë të shpërndara dhe me vënien nën akuzë të drejtuesve të lartë ushtarakë e civilë. Po ashtu, vendimet e dërgimit për gjykim dhe vendimet gjyqësore lidhur me këtë çështje kanë ndodhur të gjitha pas datës kritike (shih, ndër të tjera, vendimin e dërgimit për gjykim të datës 18 maj 2000, vendimin e Gjykatës së Lartë të Drejtësisë të datës 30 qershor 2003, vendimin e dërgimit për gjykim të datës 27 korrik 2007, vendimet e Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë të datave 17 dhjetor 2007 dhe 9 mars 2011).
210. Me fjalë të tjera, pjesa më e madhe e procedurës dhe e masave më të rëndësishme procedurale i përkasin periudhës pas datës kritike.
211. Për rrjedhojë, Gjykata del në përfundimin se ajo është kompetente ratione temporis për t’i shqyrtuar paditë e ngritura nga Znja Anca Mocanu dhe Z. Marin Stoica në këndvështrimin e anës procedurale të neneve 2 dhe 3 të Konventës, për aq sa këto ankesa kanë të bëjnë me hetimin penal të kryer rreth kësaj çështjeje pas hyrjes në fuqi të Konventës ndaj Rumanisë.
(...)
C. Rreth vonesës së pretenduar të padisë së Z. Stoica
237. Pa e përsëritur shprehimisht kërkesën për prapësim paraprak që kishte bërë para Dhomës, Qeveria, për sa i përket ankesës së formuluar në fushën e nenit 3 nga Z. Marin Stoica, mbron mendimin se ky i fundit ishte dashur të tregohej më i shpejtë, në radhë të parë për t’iu drejtuar autoriteteve të brendshme me padinë e tij penale, në radhë të dytë për të paraqitur kërkesëpadinë e tij pranë Gjykatës.
1. Vendimi i Dhomës
238. Dhoma ka çmuar se ishte e udhës që kjo kërkesë e dytë për prapësim – e bërë mbi bazën e vonesës së ngritjes nga Z. Stoica të padisë së tij penale pranë autoriteteve kompetente – të bashkohej me shqyrtimin në themel të ankesës për shkelje të anës procedurale të nenit 3 të Konventës dhe e ka shpallur këtë ankesë të pranueshme.
2. Teza e Qeverisë
239. Qeveria vë në dukje se hetimi penal rreth veprimeve të dhunshme të kryera më 13 e 14 qershor 1990 është çelur më 1990 dhe vëren që, me gjithë nisjen e këtij hetimi dhe vështirësitë e ndeshura nga autoritetet për t’i identifikuar të gjitha viktimat, paditësi është bërë palë në këto ndjekje penale vetëm më 2001.
240. Lidhur me këtë, Qeveria çmon se nuk ka sesi të pranohet që një viktimë e prezumuar të përfitojë nga përçapjet e bëra nga të tjerë për çeljen e një hetimi pa e vënë në pikëpyetje parimin themelor të mekanizmit të Konventës lidhur me shterimin e mjeteve të brendshme ligjore, parim i cili e ka në qendër të tij dimensionin individual të së drejtës për ankim.
241. Duke u mbështetur te çështjet Toader e Mihaela Toma k. Rumanisë ((vend. pran.), nr. 34403/05, 18 shtator 2012) dhe Petyo Popov k. Bullgarisë (nr. 75022/01, 22 janar 2009), Qeveria rikujton se Gjykata e ka sanksionuar sjelljen e paditësve që nuk u ishin drejtuar në mënyrë të rregullt organeve të brendshme të ndjekjes penale me paditë e tyre për shkelje të nenit 3 të Konventës.
242. Për sa i takon asaj që paditësi kërkon ta përligjë pasivitetin e tij me një gjendje të çfarëdoshme brishtësie që e paska penguar atë t’i bashkohet procedurës hetimore, Qeveria vë në dukje se veprimet e dhunshme të cilat i interesuari thotë se janë kryer ndaj tij në qershor 1990 kanë pasur nevojë vetëm për tri deri në pesë ditë mjekime, se ai nuk është shtruar gjatë në spital dhe se ai nuk ka paraqitur dokumente mjekësore që vërtetojnë ndonjë mangësi fizike a psikike të lidhur me marrëdhënie shkakësore me ngjarjet e denoncuara.
243. Qeveria shton se, pas vitit 1990, klima shoqërore dhe politike ishte e favorshme për viktimat, dhe se druajtjet e përmendura si argument nga paditësi ishin për pasojë të pabazuara. Në lidhje me këtë, ajo parashtron se Gjykata nuk e ka marrë parasysh brishtësinë e viktimave veçse në situata tejet kritike, ku paditësit kishin shprehur druajtje plotësisht të bazuara në vështrim të kontekstit kombëtar.
244. Duke u mbështetur te çështjet Narin k. Turqisë (nr. 18907/02, 15 dhjetor 2009) dhe Frandes k. Rumanisë ((vend. pran.), nr. 35802/05, 17 maj 2011), Qeveria mbron mendimin se, kur i është kërkuar të vlerësojë shpejtësinë e treguar nga palët për t’iu drejtuar asaj, Gjykata ka çmuar se kërkesat mund të rrëzoheshin për arsye vonese edhe në çështje që kishin të bënin me situata të vazhduara. Qeveria është e mendimit se ky rregull zbatohet për situata paditësish që, ashtu si Z. Stoica në çështjen në fjalë, janë vonuar tepër ose pa arsye të dukshme që t’i drejtohen Gjykatës pasi kanë vënë re që hetimi i zhvilluar nga autoritetet e humbte efektivitetin e tij ose pas momentit kur ata duhej ta kishin vënë re këtë gjë. Sipas saj, situata e Z. Stoica është shumë e ndryshme nga ajo e paditësve në çështjen Er me të tjerë k. Turqisë (nr. 23016/04, 31 korrik 2012), meqenëse paditësi në çështjen e tanishme e ka pasur në çdo moment mundësinë për t’i kontaktuar autoritetet, të cilat nuk ishin përpjekur për t’i fshehur faktet apo për t’i mohuar rrethanat.
3. Teza e paditësit
245. Paditësi shpjegon se ai është ruajtur që të mos paraqesë padi penale përpara 18 qershorit 2001 për çfarë kishte pësuar natën midis 13 dhe 14 qershorit 1990 për arsye të përmasave të shtypjes së bërë nga autoritetet në atë kohë, viktimë e së cilës ai ka qenë ndërmjet më shumë se një mijë të tjerëve. Ai është i mendimit se hetimi për të cilin bëhet fjalë këtu nuk kishte si objekt disa incidente të zakonshme përdorimi të paligjshëm të forcës nga ana e përfaqësuesve të shtetit, por pikërisht shkelje masive të të drejtave të njeriut të orkestruara nga autoritetet më të larta të shtetit.
Lidhur me këtë, ai mbron mendimin se, të nesërmen e ngjarjeve të qershorit 1990, ai ndodhej në një gjendje të tillë tronditjeje saqë nuk ka dalë fare për tre muaj nga shtëpia e tij nga frika e autoriteteve shtypëse, dhe se shëndeti i tij mendor e fizik është përkeqësuar më vonë deri në atë pikë saqë atij i ka mbetur një çrregullim i përhershëm psikik.
246. Ai mbrohet duke thënë se, në rrethana të tilla, vetëm një kundërveprim i menjëhershëm i autoriteteve gjyqësore do të kishte mundur ta qetësonte dhe ta nxiste për të bërë padi. Ai mbron mendimin se asnjë kundërveprim i këtij lloji nuk ka ndodhur përpara vitit 2000 dhe parashtron se ai ka ngritur padi pasi kishte mësuar në atë kohë që, për herë të parë, disa drejtues të lartë të shtetit ishin vënë nën akuzë e dërguar për gjykim.
247. Ai vë në dukje se padia e tij nuk është rrëzuar për arsye vonese nga autoritetet kombëtare, se ajo i është bashkëngjitur menjëherë dosjes së hetimit më të gjerë të çelur rreth ngjarjeve të fajësuara dhe se ajo ka qenë shkak për veprime hetimore që kanë të bëjnë me të, pa e qortuar kush për ndonjë farë pasiviteti.
248. Ai çmon se fakti që ai nuk ka bërë padi para vitit 2001 nuk e ka komprometuar aspak efektivitetin e hetimit. Në lidhje me këtë, ai parashtron se autoritetet paskan mundur ta identifikonin atë nëpërmjet regjistrimeve pamore që televizioni publik kishte realizuar rreth ngjarjeve të cilat zhvilloheshin brenda vetë selisë së këtij të fundit ose duke u nisur nga kartelat mjekësore të mbushura veçanërisht gjatë natës midis 13 dhe 14 qershorit 1990 nga shërbimi i urgjencave ku ai ishte i shtruar.
Përveç kësaj, ai vëren se pika e katërt e arsyetimit të vendimit të dërgimit për gjykim të datës 18 maj 2000 urdhëron vazhdimin e hetimit në lidhje me heqjen e lirisë ndaj 1 300 personave nga ushtarakë e minatorë duke filluar prej datës 13 qershor 1990 në mëngjes si edhe rreth sulmeve të kryera ndaj qindra vetëve gjatë së njëjtës periudhë.
249. Ai siguron se ka marrë pjesë në mënyrë shumë aktive në hetim që prej vitit 2001 dhe se ka kërkuar rregullisht informacione rreth ecurisë së procedurës, duke kërkuar si provë regjistrimet e hedhura në regjistrin e seksionit ushtarak të prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë.
250. Së fundi, ai çmon se një paraqitje më e shpejtë padie nuk do ta kishte ndryshuar aspak përfundimin e këtij hetimi, vendimin për pushim çështjeje të dhënë më 17 qershor 2009 në lidhje gjithashtu edhe me viktimat që kishin pasur guximin të ngrinin padi përpara vitit 2001.
4. Vërejtjet e palës së tretë
251. Sipas organizatës joqeveritare Redress, palë e tretë, pasojat e dëmshme psikologjike të keqtrajtimeve mbi zotësinë e viktimave për t’u ankuar për to përbëjnë një pengesë të madhe për ushtrimin e një ankimi. Vërtetësia e kësaj dukurie qenka pranuar, ndër të tjera, nga Komiteti kundër Torturës i Kombeve të Bashkuara (Vërejtje e përgjithshme nr. 3, 2012, § 38, cituar më lart).
252. Nga ana tjetër, Gjykata paska pranuar se, kur veprimet e dhunshme ushtrohen nga përfaqësuesit e shtetit, efektet e tyre psikologjike mund të jenë më të mëdha (Tyrer k. Mbretërisë së Bashkuar, 25 prill 1978, § 33, seria A nr. 26).
253. Disa studime shkencore treguakan se përvoja e keqtrajtimit të pësuar në duart e institucioneve shoqërore dhe politike të ngarkuara sidomos që të garantojnë sigurinë dhe mirëqenien e individëve mund të ketë efekte psikologjike të veçanta të cilat e shpjegojnë vonesën në paraqitjen e një padie, madje edhe mungesën e një padie (shih, ndër të tjera, L. Piwowarczyk, A. Moreno, M. Grodin, Health Care of Torture Survivors, Journal of the American Medical Association, vëll. 284 (2000), f. 539‑541). Nga pikëpamja psikologjike, shkaku i këtij qëndrimi u dashka kërkuar në asgjësimin e aftësisë së viktimës për t’i zënë besë ndokujt, veçanërisht përfaqësuesve të shtetit. Viktimat e përfaqësuesve të shtetit u ndjekan më të brishta sesa ato të kriminelëve të zakonshëm, sepse ato paskan më pak ose aspak shpresë që autoritetet të bëjnë hetime rreth rastit të tyre, a fortiori kur shteti vazhdon t’i shtypë demonstratat paqësore dhe nuk e tregon vullnetin e tij për të zhvilluar një hetim efektiv (A. Burnett, M. Peel, The Health of Survivors of Torture and Organised Violence, British Medical Journal, vëll. 322 (2001), f. 606-609).
254. Nga këto studime dalka gjithashtu se ato viktima të cilat nuk e identifikojnë vetveten si aktivistë ose demonstrues vuajnë edhe më shumë nga keqtrajtimet e pësuara, madje në mënyrë të shpërpjesëtuar në krahasim me dhunën që u është shkaktuar.
255. Për vetë situatën e vështirë të viktimave si nga pikëpamja e brishtësisë së tyre ashtu edhe nga ajo e pengesave lidhur me qasjen ndaj provave, nga ana e juridiksioneve kombëtare paska një prirje gjithnjë e më të qartë për t’i marrë parasysh këto realitete dhe për t’ia nxjerrë ato si pengesa parashkrimit të përgjegjësive kur pranojnë të marrin vendime rreth padive të paraqitura shumë vite pas fakteve të denoncuara nga personat që janë torturuar (Gjykata e Hagës, Wisah Binti Silan me të tjerë k. Vendeve të Ulëta, 14 shtator 2011, paragr. 4.15-4.18, Nederlandse Jurisprudentie 2012, nr. 578, dhe High Court (England and Wales), Mutua me të tjerë k. Foreign and Commonwealth Office, 5 tetor 2012, [2012] EWHC 2678 (QB), dhe Dhoma e Lordëve (Mbretëria e Bashkuar), A. k. Hoare, 30 janar 2008, [2008] UKHL 6, paragr. 44-49).
5. Vlerësimi i Gjykatës
256. Gjykata shënon se Qeveria bën fjalë për vonesën e paditësit për t’iu drejtuar autoriteteve kombëtare me një padi penale lidhur me faktet që janë në zanafillë të kësaj kërkesëpadie. Në këtë kontekst, Qeveria përmend edhe detyrimin për të vepruar me shpejtësi që u bie për barrë personave të cilët dëshirojnë t’i drejtohen Gjykatës.
257. Gjykata çmon se pika e shpejtësisë që i bie për detyrë paditësit është e lidhur ngushtë me atë të vonesës eventuale të një padie penale në rendin e brendshëm juridik. Të bashkuara, këto argumente barazohen me një prapësim mbi bazën e mosrespektimit të afatit prej gjashtë muajsh të parashikuar në nenin 35 § 1 të Konventës. Kështu që është e udhës që ky prapësim të merret tani në shqyrtim (Micu k. Rumanisë, nr. 29883/06, § 108, 8 shkurt 2011).
a) Parime të përgjithshme
258. Gjykata rikujton se afati prej gjashtë muajsh i parashikuar në nenin 35 § 1 të Konventës ndjek disa qëllime. Ai ka si synim të parë që të krijojë kushtet për sigurinë juridike duke garantuar që çështjet të cilat ngrenë pikëpyetje në vështrim të Konventës të mund të shqyrtohen brenda një afati të arsyeshëm, dhe synon gjithashtu që t’i mbrojë autoritetet dhe personat e tjerë për të cilët bëhet fjalë nga pasiguria ku do t’i linte ata kalimi i një kohe të gjatë (Sabri Güneş k. Turqisë [DhM], nr. 27396/06, § 39, 29 qershor 2012, El Masri k. “ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë” [DhM], nr. 39630/09, § 135, GjEDNj 2012, dhe Bayram e Yıldırım k. Turqisë (vend. pran.), nr. 38587/97, GjEDNj 2002-III). Ai shënon kufijtë kohorë të kontrollit që mund të kryejnë organet e Konventës dhe u sinjalizon si individëve ashtu edhe autoriteteve të shtetit afatin përtej të cilit nuk ka më mundësi kontrolli (Walker k. Mbretërisë së Bashkuar (vend. pran.), nr. 34979/97, GjEDNj 2000‑I, Sabri Güneş, i cituar më lart, § 40, dhe El Masri, i cituar më lart, § 135).
259. Si rregull i përgjithshëm, afati prej gjashtë muajsh fillon në datën e vendimit të formës së prerë të marrë në kuadër të procesit të shterimit të mjeteve të brendshme ligjore. Sidoqoftë, kur është e qartë qysh në fillim se paditësi nuk ka asnjë mundësi ankimi efektiv, afati prej gjashtë muajsh zë fill në datën e veprimeve ose masave të denoncuara ose në datën kur i interesuari merr dijeni për to apo ndjen efektet ose dëmin e tyre, dhe, kur është fjala për një situatë të vazhdueshme, ai fillon duke nisur nga përfundimi i kësaj të fundit (shih, ndër të tjera, Dennis me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar (vend. pran.), nr. 76573/01, 2 korrik 2002, Sabri Güneş, i cituar më lart, § 54, dhe El Masri, i cituar më lart, § 136).
260. Neni 35 § 1 nuk mund të interpretohet në një mënyrë të tillë e cila do të kërkonte që një paditës t’i drejtohet Gjykatës me ankesën e tij përpara se situata lidhur me pikën në diskutim të ketë qenë objekt i një vendimi të formës së prerë në nivelin e brendshëm, përndryshe do të cenohej parimi i subsidiaritetit. Kur një paditës përdor një mundësi ankimi që në dukje është e disponueshme dhe ndërgjegjësohet vetëm më pas për ekzistencën e rrethanave që e bëjnë atë joefektive, mund të përcaktohet që si pikënisje e periudhës gjashtëmujore të shihet data në të cilën paditësi ka pasur ose ishte dashur të kishte për herë të parë dijeni për këtë situatë (Paul e Audrey Edwards k. Mbretërisë së Bashkuar (vend. pran.), nr. 46477/99, 4 qershor 2001, dhe El Masri, i cituar më lart, § 136).
261. Në rastin e një situate të vazhdueshme, afati rifillon të nisë çdo ditë dhe në përgjithësi afati i fundit prej gjashtë muajsh fillon realisht të llogaritet vetëm atëherë kur ajo situatë merr fund (Varnava me të tjerë k. Turqisë [DhM], nr. 16064/90, 16065/90, 16066/90, 16068/90, 16069/90, 16070/90, 16071/90, 16072/90 e 16073/90, § 159, GjEDNj‑2009, dhe Sabri Güneş, i cituar më lart, § 54).
262. Megjithatë, situatat e vazhdueshme nuk janë të gjitha identike. Në qoftë se për të zgjidhur pikëpyetjet e një çështjeje kërkohet shpejtësi, i takon paditësit që të sigurohet se ankesat e tij janë çuar pranë Gjykatës me shpejtësinë e duhur në mënyrë që për to të mund të merret vendim me korrektësi e me drejtësi (Varnava me të tjerë, i cituar më lart, § 160). Kjo është veçanërisht e vërtetë për sa u përket ankesave të bëra mbi bazën e një detyrimi të diktuar nga Konventa për të hetuar rreth disa fakteve. Meqenëse elementet e provës dëmtohen me kalimin e viteve, rrjedhja e kohës ndikon jo vetëm te aftësia e shtetit për ta përmbushur detyrimin e tij për hetim, por edhe te ajo e Gjykatës për të bërë një shqyrtim të kuptimshëm dhe efektiv. Paditësi duhet të veprojë menjëherë sapo shfaqet qartë se nuk do të kryhet kurrfarë hetimi efektiv, domethënë sapo të shihet haptazi se shteti i paditur nuk do ta përmbushë detyrimin e tij në vështrim të Konventës (shih vendimet për pranueshmërinë Chiragov me të tjerë k. Armenisë (vend. pran.) [DhM], nr. 13216/05, § 136, 14 dhjetor 2011, dhe Sargsyan k. Azerbajxhanit (vend. pran.) [DhM], nr. 40167/06, § 135, 14 dhjetor 2011, të cilat i referohen vendimit Varnava me të tjerë, të cituar më lart, § 161).
263. Gjykata ka gjykuar tashmë se, në rastin e një hetimi për keqtrajtime, ashtu si në atë të një hetimi për vdekjen e dyshimtë të një të afërmi, paditësit duhet të marrin masa për të qenë përherë të informuar për gjendjen deri ku ka përparuar hetimi, ose për ngecjen e tij në vend, si edhe për t’i paraqitur kërkesëpaditë e tyre me shpejtësinë e duhur sapo marrin vesh, apo duhet të kenë marrë vesh, se nuk është zhvilluar asnjë hetim penal efektiv (vendimet për pranueshmërinë Bulut e Yavuz, Bayram e Yıldırım, të cituara më lart, vendimi për pranueshmërinë Frandes, i cituar më lart, §§ 18-23, dhe Atallah k. Francës (vend. pran.), nr. 51987/07, 30 gusht 2011).
264. Nga kjo rrjedh se detyrimi për t’u treguar i shpejtë që u bie paditësve përmban dy aspekte të dallueshme midis tyre, ndonëse të lidhura ngushtë me njëri-tjetrin: nga njëra anë, të interesuarit duhet të interesohen menjëherë pranë autoriteteve të brendshme për përparimin e hetimit – çka nënkupton nevojën për t’iu drejtuar atyre me shpejtësi, sepse çdo vonesë rrezikon ta komprometojë efektivitetin e hetimit, dhe, nga ana tjetër, ata duhet t’i drejtohen menjëherë Gjykatës sapo ta kenë kuptuar apo të jetë dashur ta kenë kuptuar që hetimi nuk është efektiv (Nasirkhayeva k. Rusisë (vend. pran.), nr. 1721/07, 31 maj 2011, Akhvlediani me të tjerë k. Gjeorgjisë (vend. pran.), nr. 22026/10, §§ 23-29, 9 prill 2013, dhe Gusar k. Moldavisë (vend. pran.), nr. 37204/02, §§ 14-17, 30 prill 2013).
265. Duke qenë kështu, Gjykata rikujton se aspekti i parë i detyrës për t’u treguar i shpejtë – domethënë detyrimi për t’iu drejtuar menjëherë autoriteteve të brendshme – vlerësohet në vështrim të rrethanave të çështjes. Në lidhje me këtë, ajo ka gjykuar se vonesa e paditësve për të bërë padi nuk është vendimtare në qoftë se autoritetet duhet të jenë njoftuar se një person mund të ketë pësuar keqtrajtime – sidomos në rastin e një sulmi të kryer në prani të policëve –, përderisa detyra për hetim e vënë në ngarkim të autoriteteve u bie atyre edhe në mungesë të një padie formale (Velev k. Bullgarisë, nr. 43531/08, §§ 59-60, 16 prill 2013). Një vonesë e tillë nuk e dëmton as pranueshmërinë e kërkesëpadisë në qoftë se paditësi ka qenë në një situatë veçanërisht të brishtë duke pasur parasysh karakterin e ndërlikuar të çështjes dhe natyrën e shkeljeve të të drejtave të njeriut të cilat janë sjellë si argument, dhe nëse ka qenë e arsyeshme nga ana e tij që të priste të ndodhnin zhvillime të cilat do ta kishin bërë të mundur zgjidhjen e pikave kyçe faktike ose juridike (El Masri, i cituar më lart, § 142).
266. Për sa i përket aspektit të dytë të detyrës për t’u treguar i shpejtë – domethënë detyrimit që i bie paditësit për t’iu drejtuar Gjykatës sapo të ketë marrë vesh apo të jetë dashur të ketë marrë vesh se hetimi nuk është efektiv –, Gjykata ka saktësuar që pika lidhur me faktin se në cilin moment është mbërritur ky stad varet medoemos nga rrethanat e çështjes dhe që ai është i vështirë të përcaktohet me saktësi (vendim për pranueshmërinë Nasirkhayeva, i cituar më lart).
267. Për të përcaktuar kufijtë e shtrirjes së detyrimit për t’u treguar i shpejtë që u bie si barrë paditësve të cilët kanë ndër mend ta denoncojnë mungesën e një hetimi efektiv për raste vdekjesh ose keqtrajtimesh, Gjykata është frymëzuar gjerësisht këto vitet e fundit nga jurisprudenca që ka të bëjë me detyrimin për t’u treguar i shpejtë që u diktohet paditësve të cilët ankohen për zhdukje personash në një kontekst konflikti ndërkombëtar apo gjendjeje të jashtëzakonshme të vendosur në një vend (shih Varnava me të tjerë, i cituar më lart, § 162, Yetişen me të tjerë k. Turqisë, nr. 21099/06, §§ 72-85, 10 korrik 2012, dhe Er me të tjerë, i cituar më lart, § 52, 31 korrik 2012), pavarësisht nga ndryshimet ndërmjet këtyre dy tipash situatash.
268. Kështu, Gjykata ka rrëzuar për shkak vonese disa kërkesa autorët e të cilave kishin pritur tepër, ose pritur pa arsye të dukshme, për t’iu drejtuar asaj pasi kishin kuptuar, ose ishte dashur ta kishin kuptuar, mungesën e çeljes së një hetimi, ngecjen ose humbjen e efektivitetit të këtij të fundit, si edhe mungesën hë për hë të shansit më të vogël realist që në të ardhmen të zhvillohej ndonjë hetim efektiv (shih, ndër të tjera, Narin k. Turqisë, të cituar më lart, § 51, Aydinlar me të tjerë k. Turqisë (vend. pran.), nr. 3575/05, 9 mars 2010, dhe vendimin për pranueshmërinë Frandes, të cituar më lart, §§ 18-23).
Me fjalë të tjera, Gjykata ka çmuar se ishte e domosdoshme që personat të cilët kishin ndër mend për t’u ankuar pranë saj për mungesën e efektivitetit të një hetimi ose për mungesën e hetimit të mos vononin në mënyrë të padrejtë që t’i drejtoheshin asaj me ankesën e tyre. Pas një periudhe të konsiderueshme kohore, kur veprimtaria hetimore karakterizohet prej ngadalësish e ndërprerjesh të mëdha, vjen një çast kur të interesuarit duhet ta kuptojnë që nuk po zhvillohet e nuk do të zhvillohet një hetim efektiv.
269. Megjithatë, Gjykata ka gjykuar se, për sa kohë që ekziston një kontakt i mirëfilltë ndërmjet këtyre të fundit dhe autoriteteve lidhur me paditë e me kërkesat për informim, ose një shenjë a një mundësi realiste që masat hetimore të përparojnë, pika e një vonese të tepruar eventuale nga ana e paditësve përgjithësisht nuk shtrohej fare (Varnava me të tjerë, i cituar më lart, § 165).
b) Zbatimi i parimeve të sipërpërmendura në çështjen në fjalë
270. Gjykata vëren se sulmi që paditësi thotë se ka pësuar në stacionin e televizionit publik, në prani të disa policëve dhe ushtarëve, paska ndodhur natën midis 13 dhe 14 qershorit 1990. Ajo vë në dukje se, pak kohë më pas, është çelur një hetim paraprak. Më 18 qershor 2001, ose më shumë se njëmbëdhjetë vjet pas ndodhjes së fakteve të denoncuara, i interesuari ka paraqitur një padi penale pranë një prokurori të seksionit ushtarak të prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë të Drejtësisë (paragrafi 170 i mësipërm). Më 25 qershor 2008, më shumë se tetëmbëdhjetë vjet pas fakteve në fjalë, paditësi e ka paraqitur kërkesëpadinë e tij në Gjykatën e Strasburgut. Më 17 qershor 2009, prokuroria pranë Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë ka shpallur heqjen dorë nga ndjekjet penale të drejtuara kundër të akuzuarve që ishin ende gjallë, për arsye parashkrimi të veprave penale të ndjekura ose pushimi të çështjeve, sipas rasteve (paragrafët 156-162 të mësipërm). Më 9 mars 2011, Gjykata e Lartë e Kasacionit dhe e Drejtësisë e ka rrëzuar ankimin e paraqitur nga paditësi kundër këtij vendimi (paragrafi 166 i mësipërm).
271. Gjykata shënon më tej se, në kërkesën e saj për prapësim, Qeveria denoncon mosveprimin e paditësit nga viti 1990 deri më 2001.
272. Për sa i përket rregullit të gjashtë muajve, i takon Gjykatës që të kërkojë nëse, në momentin e paraqitjes së kërkesëpadisë së tij, paditësi e dinte ose ishte dashur ta dinte që prej më shumë se gjashtë muajsh se nuk ishte kryer asnjë hetim penal efektiv. Gjykata saktëson se pasiviteti që ka treguar i interesuari përpara se të paraqiste një padi penale pranë autoriteteve të brendshme nuk është në vetvete me rëndësi lidhur me pikën e respektimit të rregullit të gjashtë muajve. Megjithatë, në qoftë se Gjykata konstaton që paditësi kishte pasur ose ishte dashur të kishte dijeni për mungesën e ndonjë hetimi efektiv përpara se ta paraqiste padinë e tij pranë autoriteteve të brendshme, kuptohet vetvetiu se kërkesëpadia me të cilën ai i është drejtuar më pas Gjykatës do të duhet të konsiderohet a fortiori si e vonuar (Bayram e Yıldırım, dhe Bulut e Yavuz, vendime për pranueshmërinë të cituara më lart), me përjashtim të rastit nëse ndërkohë ishin shfaqur prova ose të dhëna të reja që i detyronin autoritetet për të kryer një plotësim hetimi (Brecknell k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 32457/04, § 71, 27 nëntor 2007, dhe Gürtekin me të tjerë k. Qipros (vend. pran.), nr. 60441/13, 68206/13 dhe 68667/13, 11 mars 2014).
273. Fakti që paditësi ka bërë zyrtarisht padi gjatë kohës që ishte pritur nga një prokuror i seksionit ushtarak të prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë të Drejtësisë tregon se ai e kishte mbajtur veten të informuar për ecurinë e hetimit përpara 18 qershorit 2001. Paditësi e përligj ngurrimin e tij për të bërë padi me brishtësinë e vet, e cila u shpjeguaka jo vetëm me përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore si pasojë e keqtrajtimeve që ai pretendon se ka pësuar në qershor 1990, por edhe me ndjenjën e pafuqisë që ai paska përjetuar për arsye të numrit të lartë të viktimave të shtypjes së ushtruar nga forcat e rendit, si edhe të mungesës së një kundërveprimi të menjëhershëm nga ana e autoriteteve gjyqësore, i cili do të kishte mundur t’i jepte atij siguri dhe ta shtynte për t’u paraqitur.
274. Gjykata, sipas shembullit të Komitetit kundër Torturës të Kombeve të Bashkuara, të cituar nga pala e tretë, e pranon se pasojat psikologjike të keqtrajtimeve të shkaktuara nga përfaqësues të shtetit mund ta dëmtojnë gjithashtu aftësinë e viktimave për t’u ankuar për trajtimet e pësuara dhe të përbëjnë kështu një pengesë madhore për ushtrimin e së drejtës për zhdëmtim të viktimave të torturës e të keqtrajtimeve të tjera (Vërejtje e përgjithshme nr. 3, 2012, § 38, (...)). Ky tip faktorësh mund të ketë si efekt që ta bëjë viktimën të paaftë për të ndërmarrë përçapjet e nevojshme për nisjen e menjëhershme të ndjekjeve penale ndaj autorit të fakteve. Prandaj, siç e vë në dukje pala e tretë, këta faktorë merren gjithnjë e më shpesh parasysh në nivel kombëtar, duke çuar si përfundim në njëfarë elasticiteti për sa u përket afateve të parashkrimit që mund të zbatohen ndaj kërkesave për dëmshpërblim të dëmtimeve trupore (paragrafi 255 i mësipërm).
275. Gjykata vëren se kanë qenë të rralla ato viktima të ngjarjeve të datave 13 deri më 15 qershor 1990 të cilat kanë ngritur padi gjatë viteve të para që pasuan. Në të vërtetë, duket se shumica e tyre e kanë gjetur guximin për të bërë padi vetëm pas zhvillimeve të hetimit që erdhën si rrjedhojë e vendimit të datës 16 shtator 1998 dhe të vendimit të dërgimit për gjykim të datës 18 maj 2000. Prandaj, duke pasur parasysh rrethanat e jashtëzakonshme të çështjes në fjalë, duhet të dilet në përfundimin se, në situatën ku gjendej paditësi, nuk ishte e paarsyeshme nga ana e tij që të priste të ndodhnin zhvillime të cilat duhej t’i sqaronin disa pika kyçe faktike ose juridike (shih, a contrario, Akhvlediani me të tjerë, vendim për pranueshmërinë i cituar më lart, § 27).
Duke pasur parasysh çka paraprin më lart, Gjykata çmon se brishtësia e paditësit dhe ndjenja e tij e pafuqisë, të cilat ai i kishte të përbashkëta me shumë viktima të tjera që, gjithashtu, kanë pritur gjatë përpara se të bënin padi, përfaqësojnë një shpjegim të besueshëm e të pranueshëm për mosveprimin e tij nga viti 1990 deri më 2001. Paditësi nuk i ka bërë pra bisht detyrës së tij për t’u treguar i shpejtë në këtë drejtim.
276. Gjykata vë re, përveç kësaj, se disa elemente – veçanërisht regjistrimi pamor i realizuar nga televizioni publik dhe konfiskimi i dokumenteve të identitetit të paditësit dhe të personave të tjerë të mbajtur e të filmuar në selinë e televizionit – tregojnë që autoritetet i dinin ose do të kishin mundur t’i dinin pa ndonjë vështirësi reale të paktën disa prej emrave të viktimave të keqtrajtimeve të kryera më 13 qershor 1990 në mjediset e televizionit publik e në rrethinat e tyre, si edhe të atyre që u kryen gjatë natës pasuese, në prani të shumë ushtarakëve forcat e të cilëve po shpaloseshin në mënyrë progresive (Velev, i cituar më lart, §§ 59-60). Madje, vendimi i 14 tetorit 1999 dhe vendimi i dërgimit për gjykim i 18 majit 2000 u kishin dhënë urdhër hetuesve për t’i identifikuar të gjitha këto viktima.
277. Për më tepër, Gjykata vë në dukje se vendimi për pushim çështjeje i 17 qershorit 2009 – i lënë në fuqi me vendimin e Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë të datës 9 mars 2011 – vlente për të gjitha viktimat. Konkluzioni i miratuar lidhur me parashkrimin e përgjegjësisë penale gjente zbatim si për viktimat të cilat kishin bërë padi ato ditë që pasuan sulmin ndaj tyre ashtu edhe për ato të cilat, njëlloj si paditësi, ishin ankuar më vonë.
278. Në këto kushte, nuk mund të dilet në përfundimin se vonimi i Z. Marin Stoica për ta paraqitur padinë e tij ishte me natyrë të tillë që e komprometonte efektivitetin e hetimit (shih, a contrario, vendimin për pranueshmërinë Nasirkhayeva, të cituar më lart).
Sidoqoftë, padia e të interesuarit ishte përfshirë në dosjen e hetimit nr. 75/P/1998, e cila kishte të bënte me një numër të madh viktimash të ngjarjeve midis 13 dhe 15 qershorit 1990. Gjykata vë re gjithashtu se vendimi i datës 29 prill 2008, me anë të të cilit seksioni ushtarak i prokurorisë e kishte shpallur veten jo kompetent në favor të seksionit penal të së drejtës së zakonshme për të shqyrtuar – ndër të tjera – akuzat për trajtime çnjerëzore të drejtuara kundër drejtuesve më të lartë të ushtrisë dhe udhëheqësve të shtetit të asaj kohe, përmban emrat e mbi një mijë viktimave. Bëhet fjalë kështu për një hetim që përfshihet në një kontekst krejtësisht të jashtëzakonshëm.
279. Nga ana tjetër, Gjykata shënon se, duke nisur nga viti 2001, ndërmjet paditësit dhe autoriteteve ka pasur një kontakt të mirëfilltë lidhur me padinë e tij dhe me kërkesat e tij për informim, të cilat ai i ka paraqitur çdo vit duke shkuar personalisht në prokurori për t’u interesuar lidhur me përparimet e hetimit. Për më tepër, kishte disa elemente të prekshme që vërtetonin se hetimi po përparonte, veçanërisht vendimet e njëpasnjëshme për vënie nën akuzë të drejtuesve të lartë civilë e ushtarakë si edhe masat hetimore që kishin të bënin me paditësin, mes të cilave përfshiheshin të dyja ekspertizat mjekoligjore të realizuara.
280. Duke pasur parasysh ecurinë e hetimit pas vitit 2001, shtrirjen dhe natyrën e tij të ndërlikuar – të pranuara madje prej Qeverisë –, Gjykata është e mendimit se, pasi e kishte paraqitur padinë e tij pranë autoriteteve kombëtare, paditësi mund të besonte me plot të drejtë te efektiviteti i hetimit dhe mund ta priste me plot arsye përfundimin e tij për sa kohë që kishte një mundësi realiste që masat hetimore të përparonin (shih, mutatis mutandis, Palić k. Bosnjë-Hercegovinës, nr. 4704/04, § 52, 15 shkurt 2011).
281. Paditësi e ka paraqitur kërkesëpadinë e tij pranë Gjykatës më 25 qershor 2008, më shumë se shtatë vjet pasi kishte ngritur një padi penale pranë autoriteteve publike. Në atë kohë, hetimi ishte ende i papërfunduar dhe ishin marrë disa masa hetimore. Për arsyet e vëna në dukje më sipër (paragrafi 279), të cilat kanë mbetur të vlefshme më e pakta deri kur paditësi ka paraqitur kërkesëpadinë e tij pranë Gjykatës, i interesuari nuk mund të qortohet se është vonuar tepër.
282. Nga ana tjetër, Gjykata shënon se vendimi i brendshëm i formës së prerë në çështjen që ka të bëjë me paditësin është vendimi i cituar më lart i datës 9 mars 2011.
283. Duke pasur parasysh çka paraprin më lart, Gjykata çmon se kërkesëpadia nuk është e vonuar. Prandaj, kërkesa për prapësim e Qeverisë duhet të rrëzohet.
D. Rreth shkeljes së pretenduar të neneve 2 dhe 3 të Konventës
1. Vendimi i Dhomës
284. Dhoma e ka shqyrtuar më vete themelin e ankesave të bëra mbi bazën e e neneve 2 dhe 3 të Konventës. Ajo ka mbërritur në përfundimin se ka pasur shkelje të anës procedurale të nenit 2 ndaj Znjës Anca Mocanu dhe se nuk kishte pasur shkelje të anës procedurale të nenit 3 të Konventës në lidhje me Z. Marin Stoica.
a) Pjesa e vendimit lidhur me Znjën Anca Mocanu
285. Për sa i përket Znjës Anca Mocanu, Dhoma ka vënë në dukje se hetimi penal rreth vrasjes së bashkëshortit të paditëses ishte çelur më 1990 dhe se ai ishte ende i papërfunduar më shumë se njëzet vjet më pas. Ajo ka dalë në përfundimin se ky hetim nuk e përmbushte kërkesën për moszvarritje.
286. Ajo ka shënuar gjithashtu se më 1994 çështja i përkiste prokurorisë ushtarake, e cila nuk ishte një organ i pavarur hetimor, dhe se parregullsitë e hetimit, të konstatuara nga vetë juridiksionet kombëtare, nuk ishin ndrequr më pas.
287. Ajo ka vërejtur gjithashtu se Znja Anca Mocanu i ishte bashkuar vonë hetimit dhe se ajo nuk ishte informuar me korrektësi për përparimet e këtij të fundit.
288. Nga ana tjetër, ajo ka qenë e mendimit se sfida e kësaj çështjeje – domethënë e drejta e viktimave të shumta për të ditur se çfarë kishte ndodhur e, për rrjedhojë logjike, e drejta për një hetim gjyqësor efektiv e të shoqëruar në rast nevoje me një të drejtë për zhdëmtim – kishte për shoqërinë rumune një rëndësi të tillë saqë duhej t’i kishte nxitur autoritetet e brendshme për ta trajtuar këtë dosje menjëherë e pa vonesë, me qëllim që të parandalohej çdo shenjë pandëshkueshmërie për disa veprime.
289. Duke pasur parasysh këto elemente, Dhoma ka dalë në përfundimin se kishte pasur shkelje të anës procedurale të nenit 2 të Konventës.
b) Pjesa e vendimit lidhur me Z. Marin Stoica
290. Për sa i përket Z. Marin Stoica, Dhoma ka qenë e mendimit se, ashtu sikurse ishte e domosdoshme që autoritetet e brendshme kompetente të nisnin një hetim dhe të merrnin masa sapo të ishin vënë në dijeni për pretendime lidhur me keqtrajtime, edhe të interesuarve u takonte si detyrë që të tregoheshin të shpejtë dhe me iniciativë. Prandaj Dhoma i ka kushtuar një rëndësi të veçantë faktit që paditësi kishte ngritur padi lidhur me veprimet e dhunshme të pësuara më 13 qershor 1990 duke iu drejtuar autoriteteve vetëm njëmbëdhjetë vjet pas atyre ngjarjeve.
291. Ajo ka shënuar se padia në fjalë i ishte bashkëngjitur dosjes nr. 75/P/1998, e cila kishte të bënte ndër të tjera me hetimin lidhur me akuzat për trajtime çnjerëzore, dhe se në kuadër të kësaj dosjeje ishin realizuar disa veprime hetimore në lidhje me paditësin, sidomos dy ekspertiza mjekoligjore.
292. Megjithatë, ajo ka vënë në dukje se nga dosja dilte që, në kohën kur paditësi kishte paraqitur padi, disa vepra penale – veçanërisht goditjet me plagosje dhe sjellja abuzive – ishin parashkruar tashmë në zbatim të rregullave të së drejtës së brendshme.
293. Ndonëse deklaroi që ishte e gatshme për ta pranuar se, në rast shkeljesh masive të të drejtave themelore, duhej të merrej parasysh brishtësia e viktimave – veçanërisht pazotësia e tyre eventuale për të bërë padi nga frika e hakmarrjeve, Dhoma nuk ka vënë re asnjë argument bindës që ta përligjte pse paditësi kishte qëndruar pasiv dhe kishte pritur njëmbëdhjetë vjet përpara se t’ua drejtonte padinë e tij autoriteteve kompetente.
294. Për rrjedhojë, Dhoma ka dalë në përfundimin se nuk kishte pasur shkelje të anës procedurale të nenit 3 të Konventës.
2. Teza e paditësve
295. Paditësit mbrojnë mendimin se në çështjen në fjalë është shkelur ana procedurale e neneve 2 dhe 3 të Konventës. Ata janë të mendimit se detyrimi që përmbajnë këto dispozita të Konventës për të hetuar me nismën e vet u takonte autoriteteve si në bazë të së drejtës së brendshme ashtu edhe në atë të së drejtës ndërkombëtare. Sipas tyre, ky detyrim ishte edhe më i rreptë për arsye se, në çështjen në fjalë, nuk bëhej fjalë për incidente të zakonshme përdorimi të paligjshëm të forcës nga përfaqësues të shtetit, por për një konflikt të ushqyer nga autoritetet e asaj kohe dhe që kishte vënë ballë për ballë grupe të ndryshme – duke përfshirë edhe grupe etnike – të popullsisë.
296. Në këtë drejtim, ata theksojnë se, duke pasur parasysh numrin e lartë të viktimave të ngjarjeve të denoncuara, hetimet që kishin të bënin me ta si viktima lidheshin me krime të paparashkrueshme si gjenocidi ose trajtimet çnjerëzore. Sipas tyre, për autoritetet rridhte nga kjo një detyrim më i madh për të hetuar, të cilin ato nuk e kishin përmbushur.
Znja Anca Mocanu vë në dukje, ndër të tjera, se ajo nuk është informuar për përparimet e hetimit pas vitit 2009.
297. Z. Marin Stoica është i mendimit se Gjykata duhet të marrë në shqyrtim të gjithë hetimin e kryer për çështjen në fjalë ku janë akuzuar drejtues të lartë të shtetit dhe se ajo nuk duhet të kufizohet me shqyrtimin e vetëm asaj pjese të hetimit që ka të bëjë me veprimet e dhunshme të pësuara prej tij. Ai parashtron se, për ta vlerësuar çështjen në këndvështrimin e anës procedurale të nenit 3, hetimi nuk duhet të copëzohet dhe se veprat e dhunës viktimë e të cilave ka qenë ai nuk mund të shihen në mënyrë të veçuar.
298. Z. Stoica mbron mendimin se këto ngjarje – të cilat hetimi ishte dashur t’i sqaronte – kanë një domethënie të veçantë në historinë e re të Rumanisë, sepse ato kanë ndodhur në kontekstin e kalimit drejt një shoqërie demokratike dhe përfshihen në një proces pikënisja e të cilit fillonte me rënien e diktatorit, në dhjetor 1989. Duke shtuar se këto ngjarje kanë prekur një numër të madh personash, paditësi çmon se hetimi në fjalë ishte për shoqërinë rumune mjeti i vetëm për ta njohur të vërtetën rreth këtij episodi të historisë së re të këtij vendi, rrethanë kjo e cila ishte dashur t’i nxiste autoritetet kompetente për të vepruar në mënyrën e duhur, çka ato nuk e kanë bërë.
299. Në lidhje me këtë, ai parashtron në veçanti se, duke e mbyllur hetimin rreth trajtimeve çnjerëzore për arsye të mungesës se elementeve që e përbëjnë veprën penale, prokurori, në vendimin e tij të datës 17 qershor 2009 për pushimin e çështjes, ka bërë një interpretim të gabuar të ligjit, sepse ky i fundit nuk përputhet me jurisprudencën përkatëse të Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë.
300. Përveç kësaj, për sa u përket veprave penale të parashkrueshme që kanë qenë objekti i hetimit, ai çmon se afati i parashkrimit nuk ishte dashur të fillonte të llogaritej për sa kohë që udhëheqësit e akuzuar vazhdonin të ishin në detyra të larta publike.
301. Së fundi, i interesuari parashtron se, duke pasur parasysh veçoritë e çështjes në fjalë, vonesa e tij për të bërë padi nuk duhet të llogaritet në shqyrtimin e ankesës për shkelje të anës procedurale të nenit 3 dhe se ajo nuk ishte me natyrë të tillë që ta pengonte hetimin. Në lidhje me këtë, ai vë në dukje se vendimi i 14 tetorit 1999 dhe pika e katërt e dispozitivit të vendimit të dërgimit për gjykim të 18 majit 2000 e vinin në ngarkim të hetuesve detyrimin për t’i identifikuar të gjitha viktimat e shtypjes. Ai mbron për më tepër mendimin se autoritetet ishin të informuara për faktet që kishin të bënin drejtpërdrejt me të.
3. Teza e Qeverisë
a) Për sa i përket Znjës Anca Mocanu
302. Duke u mbështetur te disa veprime hetimore të procedurës së brendshme, Qeveria mbron mendimin se autoritetet kombëtare e kanë respektuar detyrimin e tyre për të kryer një hetim efektiv rreth rrethanave të vdekjes së bashkëshortit të Znjës Anca Mocanu, përderisa të gjitha veprimet procedurale që nevojiteshin për të përcaktuar të vërtetën rreth kësaj vdekjeje – veçanërisht rrethanat faktike në të cilat kishte ndodhur kjo e fundit – ishin realizuar në kuadër të këtij hetimi.
303. Ajo saktëson se, për arsye të natyrës së ndërlikuar të ngjarjeve që kishin ndodhur në qershor 1990 në Bukuresht, autoritetet gjyqësore kanë qenë të detyruara ta ndanin hetimin në disa dosje sipas të akuzuarve, veprave penale ose palëve civile për të cilat bëhej fjalë dhe se, për të njëjtat arsye, atyre u është dashur të grumbullonin prova të koklavitura mes të cilave figuronin më shumë se 5 700 dëshmi.
304. Në këtë drejtim, ajo e fton Gjykatën të marrë parasysh karakterin e pazakontë të hetimit, për shkak jo vetëm të numrit të madh të personave për të cilët bëhej fjalë, por edhe të faktit se ajo kishte të bënte me një ngjarje historike delikate për Rumaninë. Ajo nënvizon se situata e veçantë e paditësve nuk përfaqësonte veçse një pjesë të tërësisë së gjerë të fakteve të ndodhura me rastin e demonstratave të përmasave të mëdha që ishin zhvilluar në Bukuresht dhe kishin çuar në akte dhune, dhe se situata në fjalë nuk mund të analizohet pra jashtë kontekstit të përgjithshëm të kësaj dosjeje.
305. Ajo mbron mendimin se, nga viti 2000 deri më sot, nuk ka pasur periudhë mosveprimi për faj të autoriteteve.
306. Ajo saktëson madje se nuk i kundërshton konkluzionet e Dhomës për sa i përket kohëzgjatjes së hetimeve, por shton se kjo e fundit shpjegohej me nevojën për t’u gjetur zgjidhje mosfunksionimeve që kishte pasur fillimisht hetimi, si edhe me shqetësimin për të siguruar pjesëmarrjen e paditëses në procedurë.
b) Për sa i përket Z. Marin Stoica
307. Për sa i përket Z. Marin Stoica, Qeveria vë në dukje se autoritetet kanë pasur vështirësi për t’i identifikuar të gjitha viktimat dhe për t’i bërë ato palë në procedurë, për shkak se këto të fundit nuk kishin ngritur padi menjëherë.
308. Ajo mbron mendimin se hetimi penal ka dalë me të drejtë në përfundimin për parashkrimin e përgjegjësisë penale, meqenëse keqtrajtimet e pësuara nga paditësi nuk hyjnë në kategorinë e krimeve kundër njerëzimit. Ajo siguron se ky përfundim nuk synonte që të vendoste një klimë pandëshkueshmërie për ngjarjet tragjike të vitit 1990, por që të zbatonte rregullat procedurale të së drejtës së brendshme, sidomos afatet e arsyeshme të parashkrimit të cilat shkonin nga tre deri në pesëmbëdhjetë vjet.
309. Sipas saj, në çështjen në fjalë nuk ka rrethana të veçanta që ta përligjnin që autoriteteve t’u diktohej një detyrim më i madh për hetim.
310. Madje, në rast shkeljesh të shumëfishta të të drejtave themelore, zbulimi i së vërtetës në tërësi nuk qenka e thënë të vijë medoemos si rezultat i sqarimit të secilës situatë individuale. Në këto kushte, një hetim mundka ta arrijë objektivin që synon – daljen në dritë të së vërtetës në përgjithësi – sado që ai të pengohet në këtë apo atë rast të veçantë për mungesë të çdolloj përçapjeje nga ana e viktimës për të cilën bëhet fjalë.
4. Vërejtjet e palës së tretë
311. Pala e tretë vë në dukje se, që prej dhjetë viteve të fundit, e drejta evropiane dhe e drejta ndërkombëtare i japin një rëndësi më të madhe luftës kundër pandëshkueshmërisë në fushën e torturës e të trajtimeve dhe dënimeve mizore, çnjerëzore ose poshtëruese, si edhe njohjes së të drejtës së viktimave për ankim efektiv e për zhdëmtim. Në këtë drejtim, ajo citon disa tekste ndërkombëtare, veçanërisht vijat udhëheqëse të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës për zhdukjen e pandëshkueshmërisë për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut (të miratuara më 30 mars 2011). Sipas këtyre vijave udhëheqëse, “fakti që viktima nuk dëshiron zyrtarisht të ngrejë padi apo vendos më vonë ta tërheqë padinë e saj ose të heqë dorë nga ndjekjet penale nuk i përjashton autoritetet nga detyrimi i tyre për të kryer një hetim efektiv në qoftë se ka arsye për të besuar se ka ndodhur një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut”.
312. Pala e tretë nënvizon se neni 3 i Konventës u kërkon shteteve të vënë ligje penale të cilat i ndëshkojnë në mënyrë efektive shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut me dënime të përshtatshme (ajo citon në lidhje me këtë vendimet M.C. k. Bullgarisë, nr. 39272/98, § 150, GjEDNj 2003‑XII, Çamdereli k. Turqisë, nr. 28433/02, § 38, 17 korrik 2008, dhe Gäfgen k. Gjermanisë [DhM], nr. 22978/05, § 117, GjEDNj 2010). Ajo nxjerr këndej përfundimin se afatet e parashkrimit u dashka t’u përshtaten veçorive të këtyre çështjeve, të cilat karakterizohen ndër të tjera nga brishtësia e viktimave, sidomos në raste keqtrajtimesh të shkaktuara nga përfaqësues të shtetit.
313. Duke u mbështetur te një çështje e çuar në GjPNJ (Prokuror k. Furundžija-s, çështja nr. IT-95-17/1-T, vendim i Dhomës së Shkallës së Parë i datës 10 dhjetor 1998), ajo vë në dukje se pazbatueshmëria e parashkrimit të përgjegjësisë penale në fushën e krimeve të luftës e të krimeve kundër njerëzimit është një parim që pranohet njëzëri, por se ky megjithatë nuk kufizohet vetëm me këtë lloj krimesh. Ajo shton që edhe Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara e ndan këtë qëndrim për sa u përket shkeljeve flagrante të të drejtave themelore dhe që ai ka saktësuar gjithashtu se paparashkrueshmëria duhet të zbatohet edhe ndaj formave të tjera të keqtrajtimeve (Vërejtje të përgjithshme nr. 3, 2012, § 40, (...)).
5. Vlerësimi i Gjykatës
a) Parime të përgjithshme
314. Gjykata do t’i shqyrtojë së bashku ankesat e Znjës Anca Mocanu dhe të Z. Marin Stoica në këndvështrimin e neneve 2 dhe 3 të Konventës në dritën e parimeve konvergjente që rrjedhin si nga njëra ashtu edhe nga tjetra prej këtyre dispozitave, parime të përcaktuara mirë në këtë fushë e të përmbledhura, ndër të tjera, te vendimet Natchova me të tjerë k. Bullgarisë ([DhM], nr. 43577/98 e nr. 43579/98, §§ 110 dhe 112-113, GjEDNj 2005-VII), Ramsahai me të tjerë k. Vendeve të Ulëta ([DhM], nr. 52391/99, §§ 324-325, GjEDNj 2007‑II), Al-Skeini me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar ([DhM], nr. 55721/07, §§ 162-167, GjEDNj 2011), dhe El Masri (i cituar më lart, §§ 182-185).
315. Gjykata e ka saktësuar tashmë se ajo duhet t’i interpretojë nenet 2 dhe 3 duke mos harruar që objekti dhe qëllimi i Konventës, si instrument për mbrojtjen e qenieve njerëzore, bëjnë thirrje që këto dispozita të kuptohen e të zbatohen në një mënyrë të tillë që i bën konkrete dhe efektive kërkesat e tyre.
Ajo rikujton se, ashtu si neni 2, neni 3 duhet të konsiderohet si një prej klauzolave parësore të Konventës të cilat sanksionojnë një prej vlerave themelore të shoqërive demokratike që përbëjnë Këshillin e Evropës (Soering k. Mbretërisë së Bashkuar, vendim i 7 korrikut 1989, seria A nr. 161, f. 34, § 88). Në dallim nga dispozita të tjera të Konventës, ai është i hartuar në terma absolutë që nuk parashikojnë as përjashtime, as kufizime, dhe, në përputhje me nenin 15 të Konventës, prej tij nuk mund të bëhet asnjë shmangie (Al-Skeini me të tjerë, i cituar më lart, § 162).
316. Mirëpo, në mënyrë që të jetë vërtet efikas në praktikë ndalimi i përgjithshëm i torturës dhe i dënimeve e trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese, i cili u drejtohet veçanërisht përfaqësuesve publikë, duhet që të ekzistojë një procedurë e cila lejon ose që të kontrollohet ligjshmëria e përdorimit të forcës vrastare nga ana e autoriteteve të shtetit, ose që të hetohet rreth vrasjeve arbitrare dhe pretendimeve për keqtrajtime të kryera ndaj një personi i cili ndodhet në duart e tyre (Al-Skeini me të tjerë, i cituar më lart, § 163, dhe El Masri, i cituar më lart, § 182).
317. Kështu, duke pasur parasysh detyrën e përgjithshme që i takon shtetit në bazë të nenit 2 të Konventës për t’i “sigur[uar] çdokujt, që ndodhet në juridiksionin e [tij], të drejtat dhe liritë e përcaktuara në (...) Konvent[ë]”, dispozitat e neneve 2 dhe 3 kërkojnë si rrjedhojë që të kryhet një formë hetimi zyrtar efektiv, si kur përdorimi i forcës, sidomos nga përfaqësues të shtetit, ka sjellë si pasojë vdekje njeriu (McCann me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar, 27 shtator 1995, § 161, seria A nr. 324), ashtu edhe kur një individ mbron me argumente mendimin se ka pësuar, veçanërisht nga ana e policisë ose e shërbimeve të tjera të shtetit që mund të krahasohen me të, një trajtim në kundërshtim me nenin 3 (Assenov me të tjerë k. Bullgarisë, 28 tetor 1998, § 102, Recueil 1998‑VIII).
318. Fjala është në thelb që, përmes një hetimi të tillë, të sigurohet zbatimi efektiv i ligjeve që e mbrojnë të drejtën për jetën dhe i ndalojnë torturën dhe dënimet e trajtimet çnjerëzore ose poshtëruese në çështjet ku janë të përzier përfaqësues ose organe të shtetit, si edhe të garantohet që këta të fundit të jenë të detyruar për të dhënë llogari lidhur me vdekjet dhe me keqtrajtimet e ndodhura nën përgjegjësinë e tyre (Natchova me të tjerë, i cituar më lart, § 110, dhe Ahmet Özkan me të tjerë k. Turqisë, nr. 21689/93, §§ 310 e 358, 6 prill 2004).
319. Gjykata ka gjykuar tashmë që detyrimi procedural i cili rrjedh nga neni 2, ashtu si edhe ai që rrjedh nga neni 3, vazhdon të zbatohet edhe nëse kushtet e sigurisë janë të vështira, duke përfshirë qoftë edhe kontekstin e një konflikti të armatosur. Edhe sikur faktet në zanafillë të detyrimit për të hetuar të ndodhin në një kontekst veprimesh të përgjithësuara dhune dhe hetuesit të ndeshin pengesa e të jenë të detyruar nga vetë kushtet për t’iu drejtuar disa masave hetimore më pak efikase apo që i vonojnë kërkimet, prapëseprapë nenet 2 dhe 3 kërkojnë marrjen e të gjitha masave të arsyeshme që mund të sigurojnë kryerjen e një hetimi efektiv dhe të pavarur (Al-Skeini me të tjerë, i cituar më lart, § 164).
320. Në përgjithësi, në mënyrë që një hetim të mundë të paraqitet si efektiv, duhet që institucionet dhe personat e ngarkuar me të të jenë të pavarur prej personave që ai synon. Kjo nënkupton jo vetëm mungesën e lidhjes hierarkike apo institucionale, por edhe një pavarësi konkrete (Natchova me të tjerë, i cituar më lart, § 110, dhe Halat k. Turqisë, nr. 23607/08, § 51, 8 nëntor 2011).
321. Sido që të jenë modalitetet e hetimit, autoritetet duhet të veprojnë me nismën e tyre. Përveç kësaj, për të qenë efektiv, hetimi duhet të mundësojë që personat përgjegjës të identifikohen e sanksionohen. Ai duhet të jetë gjithashtu aq i gjerë sa t’i lejojë autoritetet e ngarkuara me të që të marrin në shqyrtim jo vetëm veprimet e përfaqësuesve të shtetit të cilët e kanë përdorur forcën drejtpërdrejt dhe në mënyrë të paligjshme, por edhe të gjitha rrethanat e tjera në tërësi (Al-Skeini me të tjerë, i cituar më lart, § 163).
322. Ndonëse fjala është për një detyrim jo për rezultat por për mjete, çdo mangësi që ia dobëson hetimit aftësinë për të përcaktuar rrethanat e çështjes ose identitetin e personave përgjegjës rrezikon që të shpjerë në përfundimin se ai nuk i përgjigjet normës së duhur të efektivitetit (El Masri, i cituar më lart, § 183).
323. Nga kjo rrjedh vetvetiu njëfarë kërkese për moszvarritje dhe për të treguar një shpejtësi të arsyeshme. Ndonëse mund të ketë pengesa ose vështirësi që nuk e lënë të përparojë hetimin në një situatë të veçantë, një përgjigje e shpejtë nga ana e autoriteteve, kur është fjala për të hetuar rreth përdorimit të paligjshëm të forcës apo rreth pretendimesh për keqtrajtime, mund të konsiderohet në përgjithësi si thelbësore për ta ruajtur besimin e publikut në respektimin e parimit të ligjshmërisë e për të shmangur çdo shenjë bashkëfajësie apo tolerance në lidhje me veprime të paligjshme (McKerr k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 28883/95, § 114, GjEDNj 2001-III).
324. Në të gjitha rastet, për sa u përket detyrimeve që rrjedhin nga neni 2 i Konventës, të afërmit e viktimës duhet të bëhen palë në procedurë me aq sa të jetë e nevojshme për mbrojtjen e interesave të tyre të drejta. Po ashtu, për sa i përket nenit 3 të Konventës, viktima duhet të jetë në gjendje të marrë pjesë në mënyrë efektive në hetim (McKerr, i cituar më lart, § 115).
325. Së fundi, hetimi duhet të thellohet, çka do të thotë se autoritetet duhet të përpiqen përherë seriozisht për të zbuluar çfarë ka ndodhur dhe se ato nuk duhet të mbështeten në përfundime të nxituara ose të pabazuara për ta mbyllur hetimin (El Masri, i cituar më lart, § 183).
326. Gjykata ka gjykuar gjithashtu se, në raste torture ose keqtrajtimesh të shkaktuara nga përfaqësues të shtetit, veprimi penal nuk duhet të shuhet përmes efektit të parashkrimit dhe, po ashtu, amnistia e falja nuk duhet të tolerohen në këtë fushë (Abdülsamet Yaman k. Turqisë, nr. 32446/96, § 55, 2 nëntor 2004, Yeter k. Turqisë, nr. 33750/03, § 70, 13 janar 2009, dhe Shoqata “21 Dhjetori 1989” me të tjerë, i cituar më lart, § 144). Në fund të fundit, zbatimi i parashkrimit duhet të jetë i pajtueshëm me kërkesat e Konventës. Prandaj është e vështirë që të pranohen afate parashkrimi që nuk janë elastike dhe nga të cilat nuk bëhet dot asnjë përjashtim (shih, mutatis mutandis, Röman k. Finlandës, nr. 13072/05, § 50, 29 janar 2013).
b) Zbatimi i parimeve të lartpërmendura në çështjen në fjalë
327. Në çështjen në fjalë, Gjykata vëren se një hetim penal është çelur kryesisht pak kohë pas ngjarjeve të qershorit 1990. Ky hetim kishte të bënte që në fillim me vrasjet me armë zjarri të bashkëshortit të Znjës Anca Mocanu e të personave të tjerë, si edhe me keqtrajtimet e shkaktuara ndaj individëve të tjerë në të njëjtat rrethana.
Gjykata vë re gjithashtu se ky hetim ishte fillimisht i copëzuar në disa qindra dosje më vete (paragrafët 82-87 të mësipërm) dhe se ai ishte njësuar më vonë para se të ndahej përsëri disa herë në katër, dy e pastaj tri degë.
328. Nga vendimi i dhënë më 14 tetor 1999 prej seksionit ushtarak të prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë të Drejtësisë del se ky hetim synonte gjithashtu të identifikonte të gjitha viktimat e shtypjes së kryer nga 13 deri më 15 qershor 1990. Ai kishte të bënte pra me Z. Marin Stoica, së paku duke filluar nga 18 qershori 2001, datë kur ky i fundit ka bërë zyrtarisht padi.
Gjykata vëren se në rrafsh kombëtar janë çelur shumë e shumë dosje. Megjithatë, duke pasur parasysh faktin se të gjitha këto dosje e kanë zanafillën e tyre te të njëjtat ngjarje – gjë që ka çuar madje në rigrupimin e tyre në një çështje të vetme nëpërmjet një vendimi të marrë nga prokuroria e Gjykatës së Lartë të Drejtësisë më 1997 –, Gjykata është e mendimit se bëhet fjalë në thelb për një hetim të vetëm. Edhe sikur Gjykata të pranonte se, në këtë çështje, bëhet fjalë për dy hetime më vete – njëri në lidhje me Znjën Anca Mocanu dhe tjetri me Z. Marin Stoica –, prapëseprapë konstatimet e saj për sa i takon efikasitetit të tyre nuk do të ishin të ndryshme, për arsyet e mëposhtme.
329. Gjykata vë re se ky hetim vazhdon të jetë i papërfunduar në lidhje me Znjën Anca Mocanu. Vendimi i marrë më 17 dhjetor 2007 nga Gjykata e Lartë e Kasacionit dhe e Drejtësisë për t’ia kthyer prokurorisë dosjen lidhur me akuzat e bëra fillimisht kundër pesë oficerëve të ushtrisë është vendimi i fundit gjyqësor i dhënë ndaj paditëses së parë.
330. Gjykata vë në dukje se pjesa e hetimit që ka të bëjë me Z. Marin Stoica e që fajëson 37 drejtues të lartë civilë e ushtarakë – nga të cilët një ish-kryetar të shtetit dhe dy ish-ministra të Brendshëm e të Mbrojtjes – ka përfunduar me një vendim të dhënë më 9 mars 2011 nga Gjykata e Lartë e Kasacionit dhe e Drejtësisë.
331. Ajo rikujton se kompetenca e saj ratione temporis i lejon asaj të marrë në shqyrtim vetëm periudhën e hetimit pas datës 20 qershor 1994, datë e hyrjes në fuqi të Konventës ndaj Rumanisë (paragrafi 211 i mësipërm). Për këtë arsye, ajo do të kërkojë të shohë nëse, pas kësaj date, hetimi i kryer në këtë çështje i ka përmbushur kriteret e efektivitetit të parashtruara këtu më sipër.
i. Pavarësia e hetimit
332. Gjykata vë re se, ndërmjet vitit 1997 – ose disa vite pas datës së hyrjes në fuqi të Konventës ndaj Rumanisë – dhe fillimit të vitit 2008, çështja ka qenë e papërfunduar pranë seksionit ushtarak të prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë të Drejtësisë, të kthyer më 2003 në Gjykatën e Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë. Ajo vë në dukje gjithashtu, për sa i përket Znjës Anca Mocanu, se hetimi mbetet i papërfunduar pranë prokurorisë ushtarake pas deklarimit për mungesë kompetence të shpallur nga prokuroria e së drejtës së zakonshme më 6 qershor 2013 (paragrafi 123 i mësipërm).
333. Në lidhje me këtë, Dhoma e Madhe pajtohet me konstatimin e Dhomës se hetimi u është besuar disa prokurorëve ushtarakë të cilët ishin, njëlloj si të akuzuarit mes të cilëve gjendeshin dy gjeneralë, oficerë që i nënshtroheshin parimit të vartësisë ndaj hierarkisë, konstatim ky që e ka bërë Gjykatën të dalë tashmë në përfundimin se ka pasur shkelje të anës procedurale të nenit 2 dhe të nenit 3 të Konventës në disa çështje të mëparshme të drejtuara kundër Rumanisë (Barbu Anghelescu k. Rumanisë, nr. 46430/99, § 67, 5 tetor 2004, Bursuc k. Rumanisë, nr. 42066/98, § 107, 12 tetor 2004, dhe, së fundmi, Şandru me të tjerë, i cituar më lart, § 74, Shoqata “21 Dhjetori 1989” me të tjerë, i cituar më lart, § 137, dhe Crăiniceanu e Frumuşanu k. Rumanisë, nr. 12442/04, § 92, 24 prill 2012).
334. Numri i shkeljeve të konstatuara në disa çështje të ngjashme me çështjen e tanishme është veçanërisht shqetësues dhe hedh një dyshim serioz rreth objektivitetit e paanësisë së hetimeve që u kërkohen për t’u kryer prokurorëve ushtarakë (mutatis mutandis, Natchova me të tjerë, i cituar më lart, § 117). Qeveria nuk ka paraqitur asnjë fakt ose argument që të mundë ta bëjë Gjykatën të vendosë ndryshe në çështjen në fjalë.
ii. Shpejtësia dhe përshtatshmëria e hetimit
335. Gjykata vë re se hetimi në lidhje me Znjën Anca Mocanu është i papërfunduar që prej më shumë se njëzet e tre vjetësh e më shumë se nëntëmbëdhjetë vjetësh që nga ratifikimi i Konventës nga ana e Rumanisë. Gjatë kësaj periudhe kohore, tre nga pesë drejtuesit e lartë të ushtrisë të akuzuar për vrasjen e bashkëshortit të paditëses kanë vdekur.
336. Ajo vë gjithashtu në dukje, për sa i përket Z. Marin Stoica, se hetimi që ka të bëjë me të ka përfunduar me një vendim të dhënë më 9 mars 2011, njëzet e një vjet pas çeljes së hetimeve dhe dhjetë vjet pas paraqitjes zyrtare të ankesës së paditësit dhe bashkimit të kësaj të fundit me dosjen e hetimit.
337. Mirëpo, thjesht kalimi i kohës është me natyrë të tillë që jo vetëm e dëmton një hetim, por edhe i komprometon përfundimisht shanset e tij për të arritur në ndonjë rezultat (M.B. k. Rumanisë, nr. 43982/06, § 64, 3 nëntor 2011).
338. Duke e pranuar që çështja e tanishme paraqet në mënyrë të pamohueshme një natyrë të ndërlikuar të cilën e ka nënvizuar edhe vetë Qeveria, Gjykata çmon se sfida politike dhe shoqërore e përmendur nga kjo e fundit nuk mund ta përligjë një afat kaq të gjatë. Përkundrazi, rëndësia e kësaj sfide për shoqërinë rumune duhet t’i kishte nxitur autoritetet e brendshme për ta trajtuar menjëherë këtë dosje, në mënyrë që të parandalohej çdolloj shenje tolerance për veprimet e paligjshme apo ujdie në kryerjen e tyre (shih, ndër të tjera, vendimin Lăpuşan me të tjerë k. Rumanisë, nr. 29007/06, 30552/06, 31323/06, 31920/06, 34485/06, 38960/06, 38996/06, 39027/06 dhe 39067/06, § 94, 8 mars 2011, ku bëhej fjalë për një afat prej më shumë se gjashtëmbëdhjetë vjetësh që nga çelja e një hetimi i cili synonte identifikimin dhe gjykimin e personave përgjegjës për shtypjen e demonstratave antikomuniste të vitit 1989, dhe prej më shumë se njëmbëdhjetë vjetësh që nga hyrja në fuqi e Konventës).
339. Mirëpo Gjykata vëren se hetimi i zhvilluar në këtë çështje është karakterizuar nga periudha të gjata mosveprimi, si në pjesën e parë të tij ashtu edhe gjatë viteve të fundit. Ajo vë re në veçanti se hetimi nuk ka bërë asnjë përparim të rëndësishëm nga 20 qershori 1994, datë e hyrjes në fuqi të Konventës, deri më 22 tetor 1997, datë e fillimit të bashkimit të dosjeve të shumta të cilat ishin çelur veç e veç por që përfshiheshin brenda të njëjtit kontekst faktik si ai i zanafillës së kërkesëpadive për të cilat bëhet fjalë këtu. Vetëm pas kësaj date prokuroria ka filluar të interesohet më gjerësisht për tërësinë e rrethanave të përdorimit të organizuar të forcës kundër popullsisë civile nga ana e përfaqësuesve të shtetit (shih Al-Skeini me të tjerë, i cituar më lart, § 163).
340. Për më tepër, Gjykata vë re se vendimi i datës 16 shtator 1998 përmend se përpara kësaj date nuk ishte marrë asnjë masë hetimore lidhur me ankesat e personave të sulmuar në selinë e televizionit publik (paragrafi 100 i mësipërm).
341. Përveç kësaj, të vetmet veprime procedurale të kryera në çështjen që ka të bëjë me Znjën Anca Mocanu që nga kthimi i fundit në prokurori i urdhëruar më 17 dhjetor 2007 janë arkivimi përfundimtar i çështjes i vendosur më 6 qershor 2013 ndaj dy të akuzuarve të vdekur ndërkohë dhe dy vendime për deklarime mungese kompetence të dhëna përkatësisht më 30 prill 2009 e më 6 qershor 2013.
342. Gjykata vë re gjithashtu se vetë autoritetet kombëtare kanë konstatuar mangësi të shumta të hetimit. Kështu, vendimi i marrë më 16 shtator 1998 nga prokuroria pranë Gjykatës së Lartë të Drejtësisë vinte në dukje se asnjë prej personave që kishin ushtruar detyra të larta në kohën e ngjarjeve – veçanërisht kreu i shtetit, kryeministri me zëvendësin e tij, ministri i Brendshëm dhe kreu i policisë – nuk ishin pyetur deri atëherë.
343. Për më tepër, hetimi i mëvonshëm nuk ka arritur t’i ndreqë të gjitha këto mangësi, siç e kanë vënë re Gjykata e Lartë e Drejtësisë dhe Gjykata e Lartë e Kasacionit dhe e Drejtësisë në vendimet e tyre përkatëse të 30 qershorit 2003 dhe të 17 dhjetorit 2007 duke treguar të metat e procedurës së mëparshme.
344. Nga ana tjetër, Gjykata vë re se hetimi i zhvilluar rreth veprimeve të dhunshme të kryera ndaj shumë demonstruesve dhe ndaj personave të tjerë të pranishëm rastësisht në vendin e shtypjes – i ndarë më vete që prej vitit 1998 nga pjesa tjetër e dosjes – ka përfunduar me vendimin për pushim çështjeje të dhënë më 17 qershor 2009 e të lënë në fuqi me vendimin e datës 9 mars 2011. Mes këtyre personave ishte edhe Z. Marin Stoica të cilit, pasi kishte bërë padi më 2001, i është dashur ta priste për dhjetë vjet rezultatin e këtij hetimi. Megjithatë, pavarësisht nga gjatësia e kësaj periudhe kohe dhe nga veprimet hetimore të kryera në favor të paditësit, listën e të cilave e ka hartuar Qeveria, asnjë prej vendimeve të cituara më lart nuk ka mundur t’i vërtetojë rrethanat e keqtrajtimeve që i interesuari me persona të tjerë pretendonin se kishin pësuar në mjediset e televizionit publik.
345. Vendimi i marrë nga prokuroria më 17 qershor 2009 vinte në dukje në thelb se identiteti i sulmuesve dhe shkalla e përzierjes së forcave të rendit nuk kishte qenë e mundur të vërtetoheshin në përfundim të hetimeve të kryera nga prokuroria civile dhe pastaj nga prokuroria ushtarake. Megjithatë, autoritetet nuk kanë treguar se cilat kishin qenë mjetet e provës që ishin shfrytëzuar për të vërtetuar faktet dhe se për cilat arsye konkrete nuk kishin pasur rezultat përçapjet e tyre. Nga ana tjetër, ato nuk e kanë vënë kurrë në pikëpyetje në rrafshin e brendshëm sjelljen e paditësit ndaj hetimit, duke mos bërë asnjë koment lidhur me datën e paraqitjes së padisë së të interesuarit.
346. Gjykata vë re se kjo pjesë e çështjes është mbyllur kryesisht për arsye të parashkrimit të përgjegjësisë penale. Ajo rikujton në lidhje me këtë se detyrimet procedurale që rrjedhin prej neneve 2 dhe 3 të Konventës është e vështirë që të mund të konsiderohen si të respektuara në qoftë se një hetim përfundon, ashtu si në çështjen në fjalë, me efektin e parashkrimit të përgjegjësisë penale për shkak të mosveprimit të autoriteteve (Shoqata “21 Dhjetori 1989” me të tjerë, i cituar më lart, § 143).
347. Për sa i përket rezultatit tjetër të rëndësishëm të hetimit, konkretisht konkluzionit se në lidhje me Z Stoica nuk bashkoheshin elementet përbërëse të krimit të trajtimeve çnjerëzore i cili ndëshkohet nga neni 358 i Kodit Penal rumun, Gjykata çmon se përputhshmëria e interpretimit të dhënë nga prokurori me jurisprudencën e brendshme përkatëse duhet të merret me kujdes në vështrim të vendimit të dhënë më 7 korrik 2009 nga Gjykata e Lartë e Kasacionit dhe e Drejtësisë. Madje, Qeveria nuk ka sjellë shembuj të tjerë jurisprudence në mbështetje të vendimit të dhënë në çështjen në fjalë. Gjykata është përveç kësaj e mendimit se konkluzioni se minatorët nuk kishin më asnjë kundërshtar kundër të cilit të luftonin më 14 qershor 1990 (paragrafi 161 i mësipërm) shfaqet i dyshimtë sepse nuk i merr fare parasysh veprimet e dhunshme që kanë ndodhur më 13 qershor 1990 në prani të efektiveve të mëdha të ushtrisë të pajisura me municione luftarake dhe me mjete të blinduara, siç del nga vetë vendimi i cituar më lart. Nga ana tjetër, ky konkluzion bie në kundërshtim me faktet e vërtetuara nga i njëjti vendim, i cili i përshkruan me hollësi vetëgjyqësitë e kryera më 14 qershor 1990 nga minatorët, të cilët u ishin vërsulur pa dallim demonstruesve, studentëve të pranishëm në mjediset e universitetit dhe kalimtarëve. Për më tepër, në vendimin e saj të datës 9 mars 2011 i cili e rrëzon ankimin e paraqitur nga Z. Marin Stoica kundër pushimit të çështjes, Gjykata e Lartë e Kasacionit dhe e Drejtësisë nuk është marrë fare me këtë pikë lidhur me zbatueshmërinë e nenit 358 të Kodit Penal, duke u kufizuar vetëm me kontrollin se si ishin zbatuar rregullat e parashkrimit në këtë çështje.
348. Prandaj, duket se autoritetet përgjegjëse për hetimin nuk i kanë marrë të gjitha masat të cilat do ta kishin bërë të mundur në mënyrë të arsyeshme identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës.
iii. Përfshirja e paditëses së parë në hetim
349. Në lidhje me detyrimin për t’i përfshirë të afërmit e viktimave në procedurë, Gjykata vëren se Znja Anca Mocanu nuk është informuar për përparimet e hetimit përpara vendimit të datës 18 maj 2000 që i dërgonte për gjykim personat e akuzuar se kishin vrarë bashkëshortin e saj.
350. Për më tepër, Gjykata vë në dukje se paditësja është pyetur për herë të parë nga prokurori më 14 shkurt 2007, gati shtatëmbëdhjetë vjet pas ngjarjeve, dhe se, pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Lartë e Kasacionit dhe e Drejtësisë më 17 dhjetor 2007, ajo nuk është informuar më për ecurinë e hetimit.
351. Për këtë arsye, Gjykata nuk bindet që interesat e Znjës Anca Mocanu për të marrë pjesë në hetim të jenë mbrojtur në mënyrë të mjaftueshme (Shoqata “21 Dhjetori 1989” me të tjerë, i cituar më lart, § 141).
iv. Përfundimi
352. Duke pasur parasysh çka paraprin më lart, Gjykata çmon se Znja Anca Mocanu nuk ka përfituar nga një hetim efektiv sipas parashikimeve të nenit 2 të Konventës, dhe se edhe Z. Marin Stoica i është hequr e drejta e një hetimi efektiv sipas parashikimeve të nenit 3.
353. Prandaj, ajo del në përfundimin se ka pasur shkelje të anës procedurale të këtyre dispozitave.
(...)
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Thotë, me gjashtëmbëdhjetë vota në favor dhe një kundër, se ajo është kompetente ratione temporis për të shqyrtuar paditë e ngritura nga Znja Anca Mocanu dhe Z. Marin Stoica në këndvështrimin e anës procedurale të neneve 2 dhe 3 të Konventës, për aq sa këto padi kanë të bëjnë me hetimin penal të kryer pas hyrjes në fuqi të Konventës ndaj Rumanisë;
(...)
3. Rrëzon, me katërmbëdhjetë vota në favor dhe tri kundër, kërkesën për prapësim të bërë mbi bazën e vonesës së kërkesëpadisë së Z. Marin Stoica;
4. Thotë, me gjashtëmbëdhjetë vota në favor dhe një kundër, se ka pasur shkelje të anës procedurale të nenit 2 të Konventës për sa i përket Znjës Anca Mocanu;
5. Thotë, me katërmbëdhjetë vota në favor dhe tri kundër, se ka pasur shkelje të anës procedurale të nenit 3 të Konventës për sa i përket Z. Marin Stoica;
(...)
I hartuar në frëngjisht dhe në anglisht, pastaj i shpallur në seancë publike në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 17 shtator 2014.
Johan CallewaertDean Spielmann
ZëvendëssekretarKryetar
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të Rregullores, paraqitja e mendimeve më vete të mëposhtme:
– mendimi pajtues i gjyqtarit Pinto de Albuquerque, me të cilin bashkohet edhe gjyqtari Vučinić;
– mendimi pjesërisht kundërshtues i gjyqtarit Silvis, me të cilin bashkohet edhe gjyqtari Streteanu;
– mendimi pjesërisht kundërshtues i gjyqtarit Wojtyczek.
D.S.
J.C.
Mendimet më vete nuk janë përkthyer, por janë në anglisht dhe/ose në frëngjisht në variant(in/et) e vendimit në gjuhë zyrtare dhe mund të shihen bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy