© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
Shënim informativ rreth jurisprudencës së Gjykatës Nr. 177
Gusht-Shtator 2014
Mocanu me të tjerë k. Rumanisë [DhM] - 45886/07, 32431/08 et 10865/09
Vendim 17.9.2014 [DhM]
Neni 2
Neni 2-1
Hetim efektiv
Mungesë hetimi efektiv pas vdekjes së një njeriu gjatë demonstratave të qershorit 1990 kundër regjimit rumun në pushtet: shkelje
Neni 3
Hetim efektiv
Mungesë hetimi efektiv pas ndalimit dhe keqtrajtimit të një njeriu gjatë demonstratave të qershorit 1990 kundër regjimit rumun në pushtet: shkelje
Neni 35
Neni 35-1
Afati gjashtëmujor
Pasiviteti i një paditësi për njëmbëdhjetë muaj përpara se t’ua drejtonte ankesën e tij autoriteteve kompetente kombëtare: rrëzohet kërkesa për prapësim paraprak
Neni 35-3
Ratione temporis
Katër vjet të kaluara ndërmjet faktit përftues dhe hyrjes në fuqi të Konventës ndaj Rumanisë: rrëzohet kërkesa për prapësim paraprak
Faktet – Në qershor 1990, qeveria rumune mori përsipër që t’i jepte fund pushtimit që prej disa javësh të sheshit të Universitetit nga demonstrues që protestonin kundër regjimit në pushtet. Më 13 qershor 1990, forcat e rendit ndërhynë dhe bënë arrestimin e shumë demonstruesve, çka solli si pasojë zgjerimin e demonstratave. Ndërkohë që në zonat e ndjeshme ishte dërguar ushtria, nga Ministria e Brendshme, në atë kohë e rrethuar prej demonstruesve, u bënë disa të shtëna me armë zjarri që e qëlluan në kokë Z. Mocanu, bashkëshortin e paditëses së parë, duke i shkaktuar vdekjen. Në mbrëmje, Z. Stoica (paditësi i dytë) dhe disa persona të tjerë u ndaluan dhe u keqtrajtuan nga policë të veshur me uniformë e disa burra me veshje civile në selinë e televizionit publik. Hetimi penal lidhur me këtë shtypje nisi më 1990 brenda kuadrit të një numri shumë të madh dosjesh individuale, të cilat më vonë u bashkuan, pastaj iu besuan prokurorisë ushtarake më 1997.
Më 18 qershor 2001, ose më shumë se njëmbëdhjetë vjet pas ndodhisë së ngjarjeve të denoncuara, paditësi i dytë ka paraqitur një padi penale te një prokuror i seksionit ushtarak të prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë të Drejtësisë. Hetimi i çelur rreth keqtrajtimeve të shkaktuara ndaj paditësit të dytë më 13 qershor 1990 u mbyll me një urdhër për pushim çështjeje të dhënë më 17 qershor 2009 e të lënë në fuqi nga një vendim i Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë, të dhënë më 9 mars 2011.
Procedura penale lidhur me vrasjen e bashkëshortit të paditëses së parë ishte ende e papërfunduar kur u shpall vendimi i Gjykatës Evropiane.
Me një vendim të datës 13 nëntor 2012 (shih Shënimin informativ 157), një dhomë e Gjykatës doli njëzëri në përfundimin se kishte pasur shkelje të anës procedurale të nenit 2 të Konventës në lidhje me paditësen e parë dhe, me pesë vota në favor e dy kundër, se nuk kishte pasur shkelje të anës procedurale të nenit 3 në lidhje me paditësin e dytë.
Ligji – Neni 35 § 3: Përpara Dhomës së Madhe, qeveria e paditur nuk e ka kërkuar moskompetencën ratione temporis të Gjykatës. Megjithatë, ajo ka parashtruar se Gjykata nuk mund t’i shqyrtonte pretendimet e ngritura pranë saj përveçse për aq sa ato kanë të bëjnë me periudhën pas 20 qershorit 1994, datë e hyrjes në fuqi të Konventës ndaj Rumanisë.
Dhoma e ka shpallur veten kompetente ratione temporis për të shqyrtuar rreth pretendimit për shkelje të anës procedurale të neneve 2 dhe 3 të Konventës, duke e rrëzuar kërkesën për prapësim që ishte ngritur me këtë arsye nga Qeveria vetëm ndaj kërkesëpadisë së paditësit të dytë.
Sipas Dhomës së Madhe, ankesat e bëra mbi bazën e anës procedurale të neneve 2 dhe 3 të Konventës kanë të bëjnë me hetimin lidhur me shtypjen me armë të kryer më 13 e 14 qershor 1990 kundër demonstratave antiqeveritare, shtypje që i ka kushtuar jetën bashkëshortit të paditëses së parë dhe i ka cenuar tërësinë fizike paditësit të dytë. Ky hetim ka nisur më 1990, pak kohë pas këtyre ngjarjeve, duke çuar ndër të tjera te disa masa hetimore të cilat synonin në radhë të parë identifikimin e viktimave të vrara me armë zjarri, mes të cilave figuronte bashkëshorti i paditëses së parë.
Midis faktit përftues dhe hyrjes në fuqi të Konventës ndaj Rumanisë, më 20 qershor 1994, kanë kaluar katër vjet. Kjo periudhë kohore është relativisht e shkurtër. Ajo është më pak se dhjetë vjet e më e vogël sesa ato për të cilat bëhej fjalë në çështje të tjera të ngjashme të shqyrtuara prej Gjykatës. Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e procedurës dhe e masave më të rëndësishme procedurale i përkasin periudhës pas datës kritike.
Për rrjedhojë, Gjykata del në përfundimin se ajo është kompetente ratione temporis për t’i shqyrtuar paditë e ngritura nga paditësja e parë dhe paditësi i dytë në këndvështrimin e anës procedurale të neneve 2 dhe 3 të Konventës, për aq sa këto ankesa kanë të bëjnë me hetimin penal të kryer rreth kësaj çështjeje pas hyrjes në fuqi të Konventës ndaj Rumanisë më 20 qershor 1994.
Neni 35 § 1: Dhoma ka çmuar se ishte e udhës që kërkesa e dytë për prapësim – e bërë mbi bazën e vonesës së ngritjes nga paditësi i dytë të padisë së tij penale pranë autoriteteve kompetente – të bashkohej me shqyrtimin në themel të ankesës për shkelje të anës procedurale të nenit 3 të Konventës dhe e ka shpallur këtë ankesë të pranueshme.
Dhoma e Madhe çmon se pika e shpejtësisë që i bie për detyrë paditësit të dytë është e lidhur ngushtë me atë të vonesës eventuale të një padie penale në rendin e brendshëm juridik. Të bashkuara, këto argumente barazohen me një prapësim mbi bazën e mosrespektimit të afatit prej gjashtë muajsh të parashikuar në nenin 35 § 1 të Konventës.
Brishtësia e paditësit të dytë dhe ndjenja e tij e pafuqisë, të cilat ai i kishte të përbashkëta me shumë viktima të tjera që, gjithashtu, kanë pritur gjatë përpara se të bënin padi, përfaqësojnë një shpjegim të besueshëm e të pranueshëm për mosveprimin e tij nga viti 1990 deri më 2001. Paditësi nuk i ka bërë pra bisht detyrës së tij për t’u treguar i shpejtë në këtë drejtim.
Përveç kësaj, disa elemente tregojnë që autoritetet i dinin ose do të kishin mundur t’i dinin pa ndonjë vështirësi reale të paktën disa prej emrave të viktimave të keqtrajtimeve të kryera më 13 qershor 1990 dhe gjatë natës pasuese. Në këto kushte, nuk mund të dilet në përfundimin se vonimi i paditësit të dytë për ta paraqitur padinë e tij ishte me natyrë të tillë që e komprometonte efektivitetin e hetimit. Sidoqoftë, padia e të interesuarit ishte përfshirë në dosjen e hetimit e cila kishte të bënte me një numër të madh viktimash të ngjarjeve midis 13 dhe 15 qershorit 1990 dhe vendimi i datës 29 prill 2008 i seksionit ushtarak të prokurorisë përmban emrat e mbi një mijë viktimave. Bëhet fjalë kështu për një hetim që përfshihet në një kontekst krejtësisht të jashtëzakonshëm.
Nga ana tjetër, duke nisur nga viti 2001, ndërmjet paditësit të dytë dhe autoriteteve ka pasur një kontakt të mirëfilltë lidhur me padinë e tij dhe me kërkesat e tij për informim, të cilat ai i ka paraqitur çdo vit duke shkuar personalisht në prokurori për t’u interesuar rreth përparimeve të hetimit. Për më tepër, disa elemente të prekshme vërtetonin se hetimi po përparonte.
Duke pasur parasysh ecurinë e hetimit pas vitit 2001, shtrirjen dhe natyrën e tij të ndërlikuar, paditësi, pasi e kishte paraqitur padinë e tij pranë autoriteteve kombëtare, mund të besonte me plot të drejtë te efektiviteti i hetimit dhe mund ta priste me plot arsye përfundimin e tij për sa kohë që kishte një mundësi realiste që masat hetimore të përparonin.
Paditësi i dytë e ka paraqitur kërkesëpadinë e tij pranë Gjykatës më 25 qershor 2008, më shumë se shtatë vjet pasi kishte ngritur një padi penale pranë autoriteteve publike. Në atë kohë, hetimi ishte ende i papërfunduar dhe ishin marrë disa masa hetimore. Për arsyet e vëna në dukje më sipër, të cilat kanë mbetur të vlefshme më e pakta deri kur paditësi i dytë ka paraqitur kërkesëpadinë e tij pranë Gjykatës, i interesuari nuk mund të qortohet se është vonuar tepër. Nga ana tjetër, vendimi i brendshëm i formës së prerë në çështjen që ka të bëjë me paditësin është vendimi i datës 9 mars 2011. Kështu, kërkesëpadia nuk është e vonuar.
Përfundimi: kërkesa për prapësim paraprak rrëzohet (me katërmbëdhjetë vota në favor dhe tri kundër).
Neni 2 dhe Neni 3 (ana procedurale): Një hetim penal është nisur kryesisht pak kohë pas ngjarjeve të qershorit 1990. Ky hetim, i cili kishte të bënte që në fillim me vrasjet me armë zjarri të bashkëshortit të paditëses së parë dhe të personave të tjerë, vazhdon të jetë i papërfunduar në lidhje me këtë paditëse. Pjesa e hetimit që ka të bëjë me paditësin e dytë e që fajëson 37 drejtues të lartë civilë e ushtarakë ka përfunduar me një vendim të dhënë më 9 mars 2011 nga Gjykata e Lartë e Kasacionit dhe e Drejtësisë.
Kompetenca ratione temporis e Gjykatës i lejon kësaj të marrë në shqyrtim vetëm periudhën e hetimit pas datës 20 qershor 1994, datë e hyrjes në fuqi të Konventës ndaj Rumanisë.
Për sa i përket pavarësisë së hetimit, ky i fundit u është besuar disa prokurorëve ushtarakë të cilët ishin, njëlloj si të akuzuarit, oficerë që i nënshtroheshin parimit të vartësisë ndaj hierarkisë, konstatim ky që e ka bërë Gjykatën të dalë tashmë në përfundimin se ka pasur shkelje të anës procedurale të nenit 2 dhe të nenit 3 të Konventës në disa çështje të mëparshme të drejtuara kundër Rumanisë.
Për sa i takon shpejtësisë dhe përshtatshmërisë së hetimit, ky i fundit në lidhje me paditësen e parë është i papërfunduar që prej më shumë se 23 vjetësh dhe prej më shumë se 19 vjetësh që nga ratifikimi i Konventës prej Rumanisë. Për sa i përket paditësit të dytë, hetimi ka përfunduar me një vendim të dhënë më 9 mars 2011, 21 vjet pas çeljes së hetimeve dhe 10 vjet pas paraqitjes zyrtare të ankesës së paditësit të dytë dhe bashkimit të kësaj të fundit me dosjen e hetimit. Duke e pranuar që çështja e tanishme paraqet në mënyrë të pamohueshme një natyrë të ndërlikuar, sfida politike dhe shoqërore e përmendur nga Qeveria nuk mund ta përligjë një afat kaq të gjatë. Përkundrazi, rëndësia e kësaj sfide për shoqërinë rumune duhet t’i kishte nxitur autoritetet e brendshme për ta trajtuar menjëherë këtë dosje, në mënyrë që të parandalohej çdolloj shenje tolerance për veprimet e paligjshme apo ujdie në kryerjen e tyre.
Mirëpo hetimi i zhvilluar në çështjen që ka të bëjë me paditësen e parë është karakterizuar nga periudha të gjata mosveprimi. Për më tepër, vetë autoritetet kombëtare kanë konstatuar mangësi të shumta të hetimit.
Nga ana tjetër, hetimi i zhvilluar rreth veprimeve të dhunshme të ushtruara ndaj paditësit të dytë ka përfunduar me vendimin për pushim çështjeje të dhënë më 17 qershor 2009 e të lënë në fuqi me vendimin e datës 9 mars 2011, ose 10 vjet pasi paditësi kishte paraqitur ankesën e tij. Megjithatë, pavarësisht nga gjatësia e kësaj periudhe kohe dhe nga veprimet hetimore të kryera në favor të paditësit, asnjë prej vendimeve nuk ka mundur t’i vërtetojë rrethanat e keqtrajtimeve që i interesuari me persona të tjerë pretendonin se kishin pësuar në mjediset e televizionit publik. Kjo pjesë e çështjes është mbyllur kryesisht për arsye të parashkrimit të përgjegjësisë penale. Mirëpo detyrimet procedurale që rrjedhin prej neneve 2 dhe 3 të Konventës është e vështirë që të mund të konsiderohen si të respektuara në qoftë se një hetim përfundon, ashtu si në çështjen në fjalë, me efektin e parashkrimit të përgjegjësisë penale për shkak të mosveprimit të autoriteteve.
Duket se autoritetet përgjegjëse për hetimin nuk i kanë marrë të gjitha masat të cilat do ta kishin bërë të mundur në mënyrë të arsyeshme identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës.
Në lidhje me detyrimin për t’i përfshirë të afërmit e viktimave në procedurë, paditësja e parë nuk është informuar për përparimet e hetimit përpara vendimit të datës 18 maj 2000 që i dërgonte për gjykim personat e akuzuar se kishin vrarë bashkëshortin e saj. Për më tepër, paditësja është pyetur për herë të parë nga prokurori më 14 shkurt 2007, gati 17 vjet pas ngjarjeve, dhe, pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Lartë e Kasacionit dhe e Drejtësisë më 17 dhjetor 2007, ajo nuk është informuar më për ecurinë e hetimit. Për këtë arsye, Gjykata nuk bindet që interesat e paditëses së parë për të marrë pjesë në hetim të jenë mbrojtur në mënyrë të mjaftueshme.
Kështu, duke pasur parasysh çka paraprin më lart, paditësja e parë nuk ka përfituar nga një hetim efektiv sipas parashikimeve të nenit 2 të Konventës, dhe edhe paditësit të dytë i është hequr e drejta e një hetimi efektiv sipas parashikimeve të nenit 3.
Përfundimet: shkelje e nenit 2 – ana procedurale (me gjashtëmbëdhjetë vota në favor dhe një kundër); shkelje e nenit 3 – ana procedurale (me katërmbëdhjetë vota në favor dhe tri kundër).
Neni 41: 30 000 EUR për paditësen e parë dhe 15 000 EUR për paditësin e dytë në lidhje me dëmin moral.
Gjykata del gjithashtu, njëzëri, në përfundimin se ka pasur shkelje të nenit 6 § 1 për sa i përket paditësit të tretë, shoqatës “21 Dhjetori 1989” që bashkon persona që janë plagosur gjatë shtypjes së dhunshme të demonstratave kundër regjimit të organizuara në dhjetor 1989 si edhe të afërm personash që kanë gjetur aty vdekjen, duke çmuar se kohëzgjatja e procedurës për mosmarrëveshjen ka qenë e tepruar.
(Shih gjithashtu Janowiec me të tjerë k. Rusisë [DhM], 55508/07 e 29520/09, 21 tetor 2013, Shënimi informativ 167)
* Ndër të tjera Şandru me të tjerë k. Rumanie, 22465/03, 8 dhjetor 2009, Shënimi informativ 125.
© Këshilli i Europës/Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut
Kjo përmbledhje nuk është detyruese për Gjykatën.
Klikoni këtu për Shënimet informative rreth jurisprudencës
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy