Morice kundër Francës - 29369/10 Vendimi 23.4.2015 (GC) Faktet – Në vitin 1995 Beernard Borrel, një gjyqtar i cili ishte komanduar në kontekstin e bashkëpunimit ndërmjet Francës dhe Xhibutit, u gjet i vdekur. Hetimi nga xhandarmeria e Xhibutit në ditët që pasuan nxori përfundimin që ai kishte kryer vetë-vrasje. E veja e tij, duke kundërshtuar konstatimin e vetë-vrasjes, bëri ankim si palë civile dhe caktoi kërkuesin ta përfaqësonte atë në gjykim. Dy hetime gjyqësore u hapën në lidhje me vrasjen me paramendim të kryer nga një person ose persona të panjohur. Hetimi gjyqësor iu caktua gjyqtarëve hetimorë M. Dhe L.L., Në qershor 2000, Divizioni i Akuzave të Gjykatës së Apelit i largoi këta gjyqtarë nga çështja dhe ia kaloi atë një gjyqtari të ri hetimor, Gjyqtari P. Menjëherë pas kësaj, i njëjti Divizion pranoi një kërkesë nga kërkuesi për tërheqjen e çështjes së profilit të lartë “Scientology” nga gjyqtari M. Në shtator 2000, kërkuesi dhe një prej kolegëve të tij i shkroi Ministrit francez të Drejtësisë në lidhje me hetimin gjyqësor për vdekjen e Gjyqtarit Borrel. Ata deklaruan që po i drejtoheshin Ministrit edhe një herë në lidhje me sjelljen e Gjyqtarëve M. dhe L.L. që ishte ‘tërësisht në kundërshtim me parimin e paanësisë dhe drejtësisë’ dhe ata kërkuan që të kryhej një hetim nga Inspektorati i Përgjithshëm i Shërbimeve Gjyqësore për ‘mangësitë e shumta ... të nxjerra në pah në kuadrin e hetimit gjyqësor’. Ditën tjetër një artikull në gazetën Le Monde deklaroi që avokatët e Zj Borrel kishin ‘kritikuar me forcë’ Gjyqtarin M. tek Ministri i Drejtësisë, duke e akuzuar atë veçanërisht për sjelljen që ishte ‘tërësisht në kundërshtim me parimin e paanësisë dhe drejtësisë’ dhe duke shtuar që ajo nuk kishte regjistruar një element të dosjes së çështjes dhe nuk ia kishte transmetuar pasuesit të saj. Të gjyqtarët bënë ankim penal si palë civile kundër drejtorit të publikimeve të Le Mode, gazetari i cili kishte shkruar artikullin dhe Z Morice, duke i akuzuar ata për veprën penale të shpifjes publike ndaj një punonjësi të shërbimit publik. Kërkuesit iu dha fajësia e bashkëpunimit në atë vepër penale nga Gjykata e apelit dhe iu caktua të paguante një gjobë prej 4.000 Euro. Shuma prej 7.500 Euro si kompensim dëmi iu dha secili prej gjyqtarëve, e cila duhej të paguhej nga kërkuesi së bashku me dy të pandehurit e tjerë. Në një vendim të datës 11 korrik 2013, një Dhomë e Gjykatës konstatoi, gjashtë me një votë, që nuk ka patur shkelje të Nenit 10. Më 9 dhjetor 2013, çështja iu kalua Dhomës së Madhe me kërkesë të kërkuesit (shih Shënim Informativ 169). Ligji – Neni 10: Fajësimi i kërkuesit përbënte një ndërhyrje në të drejtën e tij të lirisë së shprehjes, që garantohet nga Neni 10 i Konventës. Ndërhyrja ishte parashikuar nga ligji dhe qëllimi i tij ishte mbrojtja e reputacionit ose të drejtave të të tjerëve. Në dënimin e kërkuesit, Gjykata e Apelit ishte e mendimit që thjesht fakti i thënies që sjellja e një gjyqtari hetimor ishte ‘tërësisht në kundërshtim me parimin e paanësisë dhe drejtësisë’ ishte një akuzë vepër shpifëse. Ajo gjykatë kishte shtuar që komentet e kërkuesit në lidhje me vonesën në paraqitjen e video-kasetës dhe referenca e tij e kartës së shkruar me dorë nga prokurori publik i Xhibutit për Gjyqtarin M., në lidhje me të cilën kërkuesi kishte përdorur termin ‘pranim heshturazi’, konfirmonin thjesht natyrën shpifëse të akuzave, ku ‘vërtetësia’ e akuzave nuk është vërtetuar dhe parashtrimi i mirëbesimit nga kërkuesi u rrëzua. (a) Statusi i kërkuesit si avokat – Ndërsa nuk ishte e diskutueshme që vërejtjet e kundërshtuara përfshiheshin në kontekstin e gjykimit, ato kishin si objektiv gjyqtarët hetimorë, të cilët ishin larguar nga gjykimi me formë të prerë në momentin kur ato u bënë. Kështu që deklarimet e tij nuk mund të kishin kontribuar drejtpërdrejt në detyrën e tij për mbrojtjen e klientit të tij, meqenëse hetimi gjyqësor në atë kohë i ishte besuar një gjyqtari tjetër i cili nuk ishte objekt i kritikës. (b) Kontribut për një debat për një çështje me interes publik – Vërejtjet e kundërshtuara të kërkuesit, të cilat kishin të bënin me funksionimin e gjyqësorit, një çështje me interes publik, dhe trajtimi i çështjes Borrel – e cila kishte tërhequr vëmendje të konsiderueshme nga media – ishte përfshirë brenda kontekstit të një debati me interes publik, duke kërkuar kështu një nivel më të lartë mbrojtjeje të lirisë së shprehjes, duke u lënë përkatësisht autoriteteve një marzh tepër të ngushtë diskrecioni. (c) Natyra e vërejtjeve të kundërshtuara – Deklarimet e kundërshtuara ishin më shumë gjykime vlerësimi se sa deklarime fakti, në këndvështrimin e tonit të përgjithshëm të vërejtjeve dhe kontekstit në të cilin ato ishin bërë, pasi ato kishin reflektuar kryesisht një vlerësim të përgjithshëm të sjelljes së gjyqtarëve hetimorë në kuadrin e hetimit. ‘Baza faktike’ e atyre gjykimeve vlerësuese ishte e mjaftueshme. Mosdhënia nga gjyqtari i video-kasetës jo vetëm që ishte vërtetuar por ishte aq e rëndësishme sa që ajo të regjistrohej nga Gjyqtari P. në dosje. Në lidhje me kartën e shkruar me dorë, përveç faktit që ajo tregonte miqësi nga ana e prokurorit publik të Xhibutit kundrejt Gjyqtarit M., akuzonte avokatët e palëve civile ‘me orkestrimin e manipulimit të tyre’. Po ashtu, ishte një fakt i vërtetuar që kërkuesi kishte vepruar në cilësinë e tij si avokat në dy çështje të profilit të lartë në të cilat Gjyqtari M. ishte një gjyqtar hetimor. Në të dy prej tyre kërkuesi ia kishte dalë në marrjen e konstatimeve nga gjykata e apelit që kishte patur mangësi në gjykim, duke sjellë për pasojë heqjen e çështjeve nga Gjyqtari M. Për më tepër, ka patur lidhje mjaft të afërta ndërmjet shprehjeve të përdorura nga kërkuesi dhe fakteve të çështjes dhe vërejtjet e tij nuk mund të konsideroheshin si të gabuara ose si një sulm pa bazë. (d) Rrethanat specifike të çështjes (i) Nevoja për të marrë parasysh të gjitha të dhënat paraprake – Të dhënat paraprake të çështjes mund të shpjegoheshin jo vetëm nga sjellja e gjyqtarëve hetimorë dhe nga marrëdhëniet e kërkuesit me një prej tyre, por edhe nga historiku tepër specifik i çështjes, dimensioni i saj ndër-Shtetëror dhe mbulimi thelbësor nga media. Megjithatë, Gjykata e Apelit i kishte kushtuar një mbulim të gjerë vërejtjeve të kundërshtuara të kërkuesit i cili kritikonte një gjyqtar hetimor për ‘sjellje e cila (ishte) tërësisht në kundërshtim me parimet e paanësisë dhe drejtësisë’, ndërsa ky citim duhej të vlerësohej në dritën e rrethanave specifike të çështjes, veçanërisht pasi në realitet nuk ishte një deklaratë e bërë për autorin e artikullit, por një pjesë nga një letër e dërguar nga kërkuesi dhe kolegu i tij Ministrit të Drejtësisë. Përveç kësaj, Në momentin kur kërkuesi iu përgjigj pyetjeve të tij, gazetari ishte informuar në lidhje me letrën drejtuar Ministrit nga burimet e veta. Autori i artikullit ishte përgjegjës vetëm për referencën tek procedimi disiplinor ndaj Gjyqtarit M. në kontekstin e çështjes “Scientology”. Avokatët nuk mund të bëheshin përgjegjës për gjithçka që shfaqej në një ‘intervistë’ të publikuar nga shtypi ose për veprimet e shtypit. Gjykatës së Apelit i duhej të shqyrtonte vërejtjet duke marrë parasysh tërësisht të dhënat paraprake të çështjes dhe kontekstin e letrës, të marrë si një e tërë. Përdorimi i termit ‘pranim heshturazi’ nuk mund të përbënte ‘në vetvete’ një sulm serioz mbi nderin dhe reputacionin e Gjyqtarit M. dhe prokurorit publik të Xhibutit. Përveç kësaj, deklarimet e kërkuesit nuk mund të reduktoheshin thjesht në një shprehje të një raporti antagonist me Gjyqtarin M. Vërejtjet e kundërshtuara ishin pjesë e një iniciative profesionale të dy avokatëve mbështetur në faktet të cilat ishin të reja, të vërtetuara dhe në gjendje për të treguar mangësi serioze në sistemin e drejtësisë, duke përfshirë dy gjyqtarë të cilët më parë kishin zhvilluar hetime në një çështje në të cilën klientët e avokatëve ishin palë civile. Ndërsa vërejtjet e kërkuesit natyrisht që kishin një konotacion negativ, duhej të vihej në dukje që pavarësisht natyrës së tyre disi armiqësore dh seriozitetit, çështja kryesore në deklarime kishte të bënte me funksionimin e hetimit gjyqësor, e cila është një çështje me interes publik, duke lënë kështu pak vend për kufizime për lirinë e shprehjes. Përveç kësaj, një avokat duhet të jetë në gjendje të tërheqë vëmendjen e publikut për mangësi të mundshme në sistemin e drejtësisë dhe gjyqësori mund të përfitojë nga kritika konstruktive. (ii) Ruajtja e autoritetit të gjyqësorit – Gjyqtarët M. dhe L.L. ishin anëtarë të gjyqësorit dhe në këtë mënyrë iu nënshtroheshin kufijve më të gjerë të kritikës së pranueshme se qytetarët e zakonshëm dhe komentet e kundërshtuara mund të drejtoheshin ndaj tyre në këtë cilësi. Përveç kësaj, vërejtjet e kërkuesit nuk ishin në gjendje të minonin zhvillimin e duhur të gjykimit, duke patur parasysh faktin që gjykata më e lartë e kishte tërhequr çështjen nga dy gjyqtarët hetimorë të cilët prekeshin nga kritikat. Për të njëjtat arsye dhe duke marrë parasysh sa më sipër, dënimi i kërkuesit nuk mund të shërbente për ruajtjen e autoritetit të gjyqësorit. (iii) Përdorimi i mjeteve të disponueshme – Referimi tek Divizioni i Akuzave të Gjykatës së Apelit kishte treguar haptazi që synimi fillestar i kërkuesit dhe kolegut të tij ishte zgjidhja e çështjes duke përdorur mjetet ligjore të disponueshme. Në realitet, vetëm pas përdorimit të këtij mjeti kishte ndodhur problemi për të cilën është bërë ankesa, siç është regjistruar nga gjyqtari hetimor P. në dosje. Në këtë fazë, Divizioni i Akuzave nuk ishte më në gjendje të shqyrtonte ankesa të tilla, specifikisht pasi ai e kishte tërhequr çështjen nga Gjyqtarët M. dhe L.L. Sidoqoftë, kishin kaluar katër vjet e gjysmë qysh nga hapja e hetimit gjyqësor, i cili nuk kishte përfunduar akoma në momentin e vendimit të Gjykatës. Nga ana e tyre, palët civile dhe avokatët e tyre kishin qenë aktivë në gjykim. Për më tepër, kërkesa e Ministrit të Drejtësisë për një hetim në faktet e reja nuk përbënte një mjet gjyqësor – të tillë që të justifikojë eventualisht heqjen dorë nga ndërhyrja në shtyp – por thjesht një kërkesë për një hetim administrativ që i nënshtrohet diskrecionit të Ministrit. Së fundmi, as Kryeprokurori Publik, as Këshilli përkatës i Dhomës së Avokatisë apo kryetari i Dhomës Avokatisë nuk e panë të nevojshme të nisnin procedim disiplinor ndaj kërkuesit në lidhje me deklarimet e tij në shtyp, megjithëse një mundësi e tillë ishte e hapur për ta. (iv) Përfundimi në lidhje me rrethanat e çështjes – Vërejtjet e kundërshtuara të kërkuesit nuk përbënin ndonjë sulm me dëm serioz apo thelbësisht të pabazuar në lidhje me veprimet e gjykatave, por kritika ishte e përqendruar tek Gjyqtarët M. dhe L.L., si pjesë e një debati për një çështje me interes publik në lidhje me funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe në kontekstin e një çështjeje që kishte tërhequr mbulim të gjerë nga media qysh nga fillimi. Ndërsa pranohet që këto vërejtje mund të konsideroheshin si të ashpra, megjithatë ato konsistonin në gjykime vlerësuese me ‘bazë faktike’ të mjaftueshme. (e) Sanksionet e vendosura – Kërkuesi ishte urdhëruar të paguante një gjobë prej 4.000 Euro dhe, së bashku me dy të pandehurit e tjerë, 7.500 Euro si zhdëmtim për secilin prej dy gjyqtarëve të cilët kishin paraqitur ankim si palë civile. Kështu, sanksioni i vendosur mbi të nuk ishte ‘më i lehti i mundshëm’, por, përkundrazi, i konsiderueshëm, dhe statusi i tij si avokat ishte përdorur për të justifikuar ashpërsi më të madhe. Parë sa më sipër, Vendimi ndaj kërkuesit për bashkëpunim në shpifje mund të konsiderohej si një ndërhyrje jo-proporcionale në të drejtën e tij të shprehjes dhe nuk kishte qenë ‘e nevojshme në një shoqëri demokratike’ në kuptimin e Nenit 10 të Konventës. Përfundim: shkelje (njëzëri). Gjykata konstatoi gjithashtu një shkelje të Nenit 6 par 1 në lidhje me ankimin e kërkuesit që, para Gjykatës së Kasacionit, çështja e tij nuk i ishte nënshtruar një gjykimi të drejtë nga një gjykatë e paanshme, duke patur parasysh praninë në trupin gjykues të një gjyqtari i cili kishte shprehur paraprakisht dhe publikisht mbështetjen për një prej palëve civile. Frika e kërkuesit në lidhje me mungesën e paanësisë mund të konsiderohet objektivisht e justifikuar. Neni 41: 15.000 Euro në lidhje me dëmin jo-financiar; 270 Euro në lidhje me dëmin financiar.
Full & Egal Universal Law Academy