© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
VENDIMI LËVIZJA RAELIANE ZVICERANE k. ZVICRËS
(Kërkesëpadi nr. 16354/06)
VENDIM
[Pjesë të zgjedhura]
STRASBURG
13 korrik 2012
Ky vendim është bërë i formës së prerë. Atij mund t’i bëhen rishikime në redaktim.
Në çështjen Lëvizja Raeliane Zvicerane k. Zvicrës,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e mbledhur në një Dhomë të Madhe të përbërë nga:
Nicolas Bratza, kryetar,
Françoise Tulkens,
Josep Casadevall,
Corneliu Bîrsan,
Egbert Myjer,
Mark Villiger,
Päivi Hirvelä,
András Sajó,
Mirjana Lazarova Trajkovska,
Ledi Bianku,
Ann Power-Forde,
Mihai Poalelungi,
Nebojša Vučinić,
Kristina Pardalos,
Ganna Yudkivska,
Paulo Pinto de Albuquerque,
Helen Keller, gjyqtarë,
e nga Michael O’Boyle, zëvendëssekretar,
Pasi e diskutoi çështjen në seancë të mbyllur më 16 nëntor 2011 dhe 9 maj 2012,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë të fundit:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të kësaj çështjeje ndodhet një kërkesëpadi (nr. 16354/06) e drejtuar kundër Konfederatës Zvicerane dhe me anë të së cilës një shoqatë e regjistruar sipas së drejtës zvicerane, Lëvizja Raeliane Zvicerane (Mouvement raëlien suisse) (“shoqata paditëse”), i është drejtuar Gjykatës më 10 prill 2006 në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”).
2. Shoqata paditëse është përfaqësuar nga Z. E. Elkaim, avokat në Lozanë (Zvicër). Qeveria zvicerane (“Qeveria”) është përfaqësuar nga agjenti i saj, Z. F. Schürmann, i Zyrës Federale të Drejtësisë.
3. Shoqata paditëse ankohej se masat për ndalim afishimi, të marra prej autoriteteve zvicerane, kishin cenuar të drejtën e saj për lirinë e fesë dhe të drejtën e saj për lirinë e shprehjes, të garantuara përkatësisht nga nenet 9 dhe 10 të Konventës.
4. Kërkesëpadia i është caktuar Seksionit të Parë të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës – “Rregullorja”). Më 15 maj 2008, Gjykata ka vendosur t’ia njoftojë atë Qeverisë dhe, ashtu siç ia lejonte neni 29 § 3 i Konventës, të shqyrtonte bashkërisht edhe pranueshmërinë, edhe themelin e saj.
5. Më 13 janar 2011, një dhomë e seksionit të lartpërmendur e përbërë nga Christos Rozakis, Nina Vajić, Khanlar Hajiyev, Dean Spielmann, Sverre Erik Jebens, Giorgio Malinverni dhe George Nicolaou, gjyqtarë, si edhe nga Søren Nielsen, sekretar seksioni, ka dhënë një vendim ku, me pesë vota në favor dhe dy kundër, ka dalë në përfundimin se nuk kishte pasur shkelje të nenit 10 të Konventës dhe se nuk ishte me vend që të shqyrtohej më vete ankimi i bërë sipas nenit 9 të Konventës. Vendimit i ishte bashkëngjitur mendimi kundërshtues i gjyqtarëve Rozakis dhe Vajić.
6. Më 12 prill 2011, shoqata paditëse ka kërkuar kalimin e çështjes në Dhomën e Madhe sipas neneve 43 të Konventës dhe 73 të Rregullores. Më 20 qershor 2011, kolegji i Dhomës së Madhe i ka dhënë të drejtë kësaj kërkese.
7. Përbërja e Dhomës së Madhe është vendosur në përputhje me dispozitat e neneve 26 §§ 4 e 5 të Konventës dhe 24 të Rregullores. Më 30 prill 2012, Mihai Poalelungi ka mbërritur në përfundim të mandatit të tij si gjyqtar. Ai ka vazhduar të marrë pjesë pas mbarimit të mandatit të tij, sipas neneve 23 § 3 të Konventës dhe 24 § 4 të Rregullores.
8. Si paditësja ashtu edhe Qeveria kanë depozituar vërejtje plotësuese me shkrim (neni 59 § 1 i Rregullores). Vërejtje janë marrë gjithashtu prej organizatës joqeveritare Article 19, të cilën kryetari e kishte lejuar të ndërhynte në procedurën me shkrim (nenet 36 § 2 i Konventës dhe 44 § 3 i Rregullores).
9. Një seancë është zhvilluar në publik në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 16 nëntor 2011 (neni 59 § 3 i Rregullores).
Janë paraqitur:
– për Qeverinë
ZtëF. Schürmann, shef i seksionit të së Drejtës Evropiane dhe të
Mbrojtjes Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Zyra Federale e
Drejtësisë, Departamenti Federal i Drejtësisë dhe i Policisë, agjent,
A. Tendon, avokat, zëvendës i shefit të shërbimit juridik
të kantonit të Nëshatelit,
ZnjaD. Steiger Leuba, bashkëpunëtore shkencore,
seksioni i së Drejtës Evropiane dhe i Mbrojtjes Ndërkombëtare
të të Drejtave të Njeriut, Zyra Federale e Drejtësisë, Departamenti
Federal i Drejtësisë dhe i Policisë,këshilltarë;
– për shoqatën paditëse
ZtëE. Elkaim, avokat,
N. Blanc, avokat ortak,avokatë,
M.P. Chabloz, përgjegjës dhe zëdhënës
i Lëvizjes Raeliane Zvicerane, këshilltar.
Gjykata ka dëgjuar deklarimet e Zve Elkaim e Schürmann, si edhe përgjigjet e tyre për disa pyetje të bëra nga gjyqtarët.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
A. Shoqata paditëse dhe Lëvizja Raeliane
10. E krijuar më 1977, paditësja është një shoqatë pa qëllim fitimprurës e cila e ka selinë në Rena (Rennaz), në kantonin e Vosë (Vaud). Ajo përbën degën zvicerane të “Lëvizjes Raeliane”, një organizatë me qendër në Gjenevë dhe e themeluar më 1976 nga Claude Vorilhon, i mbiquajtur Rael (Raël). Sipas statutit të saj, ajo ka si qëllim “të sigurojë kontaktet e para dhe të vendosë marrëdhënie të mira me jashtëtokësorët”.
11. Sipas të dhënave që mund të shiheshin në sajtin e shoqatës paditëse në internet në çastin e miratimit të këtij vendimi, doktrina e Lëvizjes Raeliane bazohet në kontaktin që paska pasur Raeli me qenie jashtëtokësore “të përparuara teknikisht”, të quajtura “Elohim”, të cilat paskan krijuar jetën në Tokë dhe disa fe të botës si krishterimin, judaizmin apo edhe islamizmin. Ithtarët e Lëvizjes Raeliane u kushtojnë një rëndësi të madhe përparimeve shkencore e teknike dhe kanë mendimin se klonimi dhe “transferimi i ndërgjegjes” mundësuakan arritjen e pavdekësisë. Si e tillë, Lëvizja Raeliane ka shprehur tashmë mendime në favor të klonimit njerëzor.
12. Disa tekste të Lëvizjes Raeliane ose të vetë Raelit mbrojnë një sistem qeverisjeje të quajtur “gjeniokraci”, doktrinë sipas së cilës pushteti u dashka të ushtrohet vetëm nga individë që kanë një koeficient të lartë intelektual.
13. Në librin e tij me titull “Përsiatja epshore”, Raeli e përkufizon këtë koncept si një “mënyrë përdorimi” që u qenka dhënë qenieve njerëzorëve nga jashtëtokësorët dhe e cila i mundësuaka secilit “të zbulojë trupin e vet dhe të mësojë si të shijojë tingujt, ngjyrat, aromat, përkëdheljet e më në veçanti një seksualizëm të ndier me të gjitha shqisat e veta, në mënyrë që të eksperimentojë orgazmën kozmike, të pafund e absolute që ndriçon mendjen duke e bashkuar cilindo që e arrin atë me gjithësinë që e përbën dhe nga e cila përbëhet”.
B. Procedura e debatuar
14. Më 7 mars 2001, shoqata paditëse i kërkoi Drejtorisë së Policisë të qytetit të Nëshatelit (“Drejtoria e Policisë”) lejen për të zhvilluar një fushatë afishimi për periudhën e përfshirë ndërmjet datave 2 e 13 prill 2001. Afishja në fjalë, me një format prej 97 x 69 cm, përmbante në pjesën e saj të sipërme mbishkrimin e mëposhtëm me germa të mëdha të verdha mbi një sfond blu të errët: “Mesazhi i dhënë nga jashtëtokësorët”; në pjesën e poshtme të afishes, me germa të së njëjtës madhësi por më të trasha, figuronte adresa e sajtit të Lëvizjes Raeliane në internet si edhe një numër telefoni në Francë; krejt në fund të afishes mund të lexohej: “Shkenca zëvendëson më në fund fenë”. Qendrën e afishes e zinin fytyra jashtëtokësorësh si edhe një piramidë. Dallohej gjithashtu një disk fluturues dhe Toka.
15. Më 29 mars 2001, Drejtoria e Policisë e refuzoi lejen e kërkuar duke iu referuar dy refuzimeve të mëparshme. Nga një raport parlamentar francez rreth sekteve të vitit 1995, si edhe nga një vendim i kryetarit të Gjykatës Civile të Qarkut të Sarinës (kantoni i Friburgut), dilte se Lëvizja Raeliane kryente veprimtari në kundërshtim me rendin publik dhe me rregullat e moralit.
16. Me një vendim të 19 dhjetorit 2001, Këshilli Bashkiak i Nëshatelit e rrëzoi ankimin e paraqitur nga shoqata paditëse, duke çmuar se kjo e fundit nuk mund të përfitonte nga liria e fesë sepse duhej të konsiderohej si një sekt me karakter të rrezikshëm. Cenimi i lirisë së shprehjes mbështetej në nenin 19 të Rregullores Administrative të Qytetit të Nëshatelit (“rregullorja”); ai synonte të mbronte interesin publik dhe ishte i përpjesëtuar, përderisa kjo organizatë predikonte klonimin, “gjeniokracinë” dhe “përsiatjen epshore”.
17. Me një vendim të 27 tetor 2003, Departamenti i Administrimit të Territorit i Nëshatelit e la në fuqi këtë vendim. Ai shënoi se, sipas Lëvizjes Raeliane, jeta në Tokë ishte krijuar nga jashtëtokësorët, gjithashtu themelues të feve të ndryshme dhe shpëtimtarë të mundshëm të botës, dhe pranoi se aty bëhej fjalë për një bindje fetare të mbrojtur nga liria e ndërgjegjes dhe e besimit. Ai pranoi gjithashtu se rregullorja përbënte një bazë të mjaftueshme ligjore në atë fushë. Ai vërejti se as teksti, as figura e afishes, e aq më pak hedhja e fjalës te jashtëtokësorët, nuk përmbanin kurrfarë gjëje të pahijshme. Megjithatë, ai vuri në dukje se Lëvizja Raeliane predikonte “gjeniokracinë” (një model politik të bazuar te koeficienti intelektual), si edhe klonimin e qenieve njerëzore. Për më tepër, sipas një vendimi të Gjykatës së Kantonit të Friburgut të 13 shkurtit 1998, ishte e saktë të pohohej se Lëvizja Raeliane predikonte gjithashtu “teorikisht” pedofilinë dhe incestin, sidomos në librat e vetë Raelit. Edhe praktika e “përsiatjes epshore” mund të çonte me lehtësi në gjëra të tepruara. Madje, sajti i shoqërisë Clonaid në internet, ku mund të hyhej nga sajti i Lëvizjes Raeliane, propozonte shërbime konkrete në fushën e klonimit; mirëpo eugjenizmi ishte në vetvete në kundërshtim me parimin e mosdiskriminimit. Departamenti doli në përfundimin se fushata e afishimit nënkuptonte cenime të moralit dhe të të drejtave të tjetrit dhe se, në fund të fundit, Lëvizja Raeliane zotëronte mjete të tjera për të përhapur idetë e saj.
18. Shoqata paditëse iu drejtua Gjykatës Administrative të Kantonit të Nëshatelit. Ajo pohonte veçanërisht se thjesht mbrojtja e “gjeniokracisë”, e klonimit dhe e përsiatjes epshore nuk kishin asgjë të pahijshme. Nga ana tjetër, ajo mbronte mendimin se Lëvizja e dënonte pedofilinë nëpërmjet shoqatës “Nopedo”. Refuzimi i afishimit ishte pra sipas saj një censurë e kulluar dhe e thjeshtë, për më tepër që në sajtin e saj në internet ishte gjithsesi e lehtë për të hyrë përmes një motori kërkimi.
19. Me një vendim të 22 prillit 2005, Gjykata Administrative e rrëzoi ankimin, por pasi pranonte se shoqata paditëse mbronte një përfytyrim të përgjithshëm të botës dhe mund të përfitonte si nga liria e mendimit ashtu edhe nga liria e fesë. Ajo shprehu së pari mendimin se masa e kundërshtuar mbështetej në rregulloren administrative, e cila ishte vërtet një ligj në kuptimin material të fjalës, dhe se afishja duhej të vlerësohej duke pasur parasysh mesazhin e përcjellë në librat dhe sajtet ku mund të hyhej nga ai i Lëvizjes. Mirëpo shërbimet e propozuara nga Clonaid ishin haptazi në kundërshtim me rendin publik zviceran. Gjykata rikujtoi përveç kësaj se Lëvizja Raeliane ishte bërë objekt padish penale ku denoncoheshin praktika seksuale që synonin të shthurnin sistematikisht të rinj adoleshentë. Fjalët që thuheshin nëpër librat rreth “gjeniokracisë” dhe “përsiatjes epshore” mund t’i shpinin disa të rritur në shkarje seksuale ndaj fëmijëve të mitur, ngaqë fëmija cilësohej në disa libra si “objekt i privilegjuar seksual”. Fjalët rreth “gjeniokracisë” dhe kritikat ndaj demokracive të sotme ishin të tilla që mund të cenonin rendin, sigurinë dhe moralin publik. Për këto arsye, gjykata administrative nxori përfundimin se nuk përligjej që të lejohej përhapja e këtyre ideve publikisht nëpër rrugë.
20. Shoqata paditëse bëri në Gjykatën Federale një rekurs të drejte publike kundër këtij vendimi të fundit, duke kërkuar shfuqizimin e tij dhe kthimin e çështjes pranë autoritetit përkatës me një urdhër për rigjykim.
21. Me një vendim të 20 shtatorit 2005, që iu njoftua shoqatës paditëse më 10 tetor 2005, Gjykata Federale e rrëzoi rekursin. Pjesët përkatëse të këtij vendimi shprehen kështu:
“Departamenti dhe, më pas, Gjykata Administrative, kanë pranuar se shoqata [paditëse] mund të përfitonte nga liria fetare (nenet 15 i Kushtetutës [këtu më tej “Kusht.”], 9 i KEDNj dhe 18 i Paktit të OKB-së II), përderisa ajo mbronte një përfytyrim të përgjithshëm të botës, sidomos lidhur me krijimin e saj dhe me zanafillën e feve të ndryshme. Qyteti i Nëshatelit e kundërshton këtë, duke vënë në dukje se qëllimi i shoqatës [paditëse], i përkufizuar në nenin 2 të statutit të saj, nuk është me karakter fetar. Sipas një raporti rreth sekteve të hartuar më 1995 për Asamblenë Kombëtare franceze, Lëvizja Raeliane bëka pjesë në lëvizjet që paraqesin rrezik për individin, sidomos për arsye të kërkesave financiare marramendëse ndaj anëtarëve të vet e praktikave që cenojnë integritetin e tyre fizik, si edhe të rreziqeve për komunitetin, veçanërisht përmes një gjuhe antishoqërore. Shumë tekste të botuara prej Lëvizjes përmbajtkan pjesë tronditëse.
Nuk është aspak nevoja të shihet nëse një lëvizjeje fetare, për arsye të rreziqeve që paraqet, mund t’i ndalohet të përfitojë nga liria e fesë, dhe nëse shoqata [paditëse] paraqet rreziqe të tilla. Në të vërtetë, palët bien dakord për t’ia njohur [paditëses] zotësinë për t’iu referuar lirisë së mendimit. Kushtet për kufizimet e kësaj lirie, siç parashtrohen në nenin 36 të Kusht., nuk ndryshojnë aspak nëse përmendet neni 15 apo ai 16 Kusht. (khs. gjithashtu nenet 9 § 2 dhe 10 § 2 KEDNj). [Paditësja] nuk mbron mendimin se masa e kundërshtuar cenuaka vetë thelbin e lirisë fetare, as se kufizimet e vëna ndaj kësaj të fundit, në rrethanat e rastit të çështjes në fjalë, iu nënshtruakan disa kushteve më të rrepta. Përkundrazi, [paditësja] u referohet parimeve të përpjestueshmërisë dhe të interesit publik, pa dallim për sa i përket së drejtës kushtetuese të përmendur.
(...)
5.2 Sipas jurisprudencës, subjektet nuk kanë ndonjë të drejtë të pakushtëzuar për përdorim më të madh të hapësirës publike, veçanërisht kur është fjala për vendosjen e procedurave për reklamat në hapësirën publike, të cilat nënkuptojnë një veprimtari me njëfarë rëndësie, të vazhdueshme e që përjashton çdo përdorim të ngjashëm nga të tretë (vendimi i Gjykatës Federale 128 I 295 pika 3c/aa f. 300 dhe vendimet e cituara aty). Kur bën ndër mend të japë një leje për përdorim më të madh ose ekskluziv të hapësirës publike ose kur kontrollon modalitetet e përdorimit të një koncesioni, shteti duhet sidoqoftë të marrë parasysh, në peshimin e interesave të pranishëm, përmbajtjen me karakter ideor të lirisë së shprehjes (vendimi i Gjykatës Federale 100 Ia 392 pika 5 f. 402).
5.3 Në këtë rast, arsyet e zgjedhura nga Gjykata e Kantonit për të lënë në fuqi moslejimin nga Qyteti i Nëshatelit kanë të bëjnë me respektimin e moralit dhe të rendit ligjor zviceran. Gjykata Administrative ka qenë e mendimit se duhej të merreshin parasysh jo vetëm përmbajtja e afishes, por gjithashtu edhe idetë që përcjell Lëvizja Raeliane, si edhe librat e sajtet e internetit ku mund të hyhej përmes atij të Lëvizjes. Kështu, shoqatës [paditëse] i bëhen tre lloje qortimesh. Së pari, sajti i shoqatës [paditëse] shpie tek ai i Clonaid-it, ku kjo shoqëri i ofron publikut shërbime konkrete në fushën e klonimit dhe kishte njoftuar, në fillim të vitit 2003, lindjen e fëmijëve të klonuar. Mirëpo klonimi është i ndaluar në të drejtën zvicerane, sipas nenit 119 Kusht. dhe Ligjit për Lindjen nëpërmjet Ndihmës Mjekësore (RS 814.90). Së dyti, Gjykata Administrative i është referuar një vendimi të Gjykatës së Qarkut të Sarinës, ku flitet për shkarje të mundshme seksuale ndaj fëmijëve të mitur. Për më tepër, policia ishte marrë me shumë anëtarë të Lëvizjes për arsye të praktikave të tyre seksuale. Së treti, përkrahja e “gjeniokracisë”, domethënë e doktrinës sipas së cilës pushteti u dashka t’u jepet individëve që kanë një koeficient të lartë intelektual, si dhe kritika që u drejtohet për rrjedhojë demokracive të sotme, ishte e tillë që mund të cenonte mbrojtjen e rendit, të sigurisë dhe të moralit publik.
5.4 [Paditësja] nuk e kundërshton më, në këtë stad, ekzistencën e një baze të mjaftueshme ligjore, apo në këtë rast nenin 19 të rregullores. Një akt ligjor komunal jep në fakt të njëjtat garanci, nga pikëpamja e ligjshmërisë demokratike, si edhe një ligj kantonal, dhe përbën për pasojë një bazë të mjaftueshme ligjore (vendimi 1P.293/2004 i 31 majit 2005, pika 4.3, vendimi i Gjykatës Federale 131 I xxx; vendimi i Gjykatës Federale 122 I 305, pika 5a, f. 312; 120 Ia 265, pika 2a, f. 266/267 dhe referencat e cituara). Kurse [paditësja] i referohet parimit të interesit publik dhe i qorton autoritetet e paditura se i janë larguar përmbajtjes së afishes për t’iu kushtuar një vlerësimi të veprimtarive të shoqatës [paditëse]. Mirëpo, në qoftë se kjo e fundit bënte në përgjithësi veprime në kundërshtim me rregullat e moralit apo me rendin publik, ajo paska mundur të shpërndahet në rrugë gjyqësore në zbatim të nenit 78 KC [të Kodit Civil]. Në mungesë të çdolloj vendimi në këtë drejtim, nuk qenka e mundur që asaj t’i ndalohet ta bëjë publike filozofinë e vet si edhe përfytyrimin e vet për botën.
5.5 Vetë afishja nuk përmban asgjë, as në tekstin e saj, as në ilustrimet e saj, që të jetë e paligjshme apo që të mund të tronditë publikun. Përmbi vizatimin qendror që paraqet jashtëtokësorë figuron mbishkrimi “Mesazhi i dhënë nga jashtëtokësorët”, pa ndonjë shpjegim tjetër. Poshtë, me germa më të trasha, figuron adresa e sajtit të shoqatës [paditëse] në internet, si edhe një numër telefoni. Fraza “Shkenca zëvendëson më në fund fenë” mund të fyejë sigurisht bindjet fetare të disa njerëzve; megjithatë ajo është shprehja e thjeshtë e doktrinës së Lëvizjes dhe nuk ka karakter veçanërisht provokues.
Tërësia e afishes mund të kuptohet kështu qartazi si një ftesë për të vizituar sajtin e shoqatës [paditëse] në internet ose për të marrë kontakt me të përmes telefonit. Përballë një reklame të tillë, autoriteti duhet të shqyrtojë jo vetëm se sa është i lejueshëm mesazhi i mirëfilltë i reklamës, por edhe sa është e tillë përmbajtja e tij. Prandaj është e drejtë të shihet nëse sajti në fjalë mund të përmbante informacione, të dhëna ose lidhje që mund të shkaktonin tronditje ose të shkelnin ligjin.
Nga ana tjetër, në kundërshtim me çfarë thotë shoqata [paditëse], një shoqatë mund të qortohet për mendime ose veprimtari që, pa përbërë arsye për shpërndarjen e saj në kuptimin e nenit 78 KC, e përligjin gjithsesi një kufizim reklamimi.
5.5.1 Lidhur me klonimin, ajo për çka është marrë masë ndëshkimore nuk janë mendimet e shfaqura nga shoqata [paditëse] në favor të kësaj praktike (konkretisht në librin “Po klonimit njerëzor”, të botuar më 2001 dhe të propozuar në sajtin e [paditëses]), por lidhja me shoqërinë Clonaid, të cilën ajo e ka krijuar vetë dhe që propozon shërbime të ndryshme konkrete dhe me pagesë në këtë fushë. Pra, ndryshe nga çfarë thotë [paditësja], nuk bëhet fjalë thjesht për shprehjen e një mendimi në favor të klonimit, të mbrojtur nga neni 16 Kusht., por për praktikën e kësaj veprimtarie, megjithëse kjo është e ndaluar sipas nenit 119, pika 2, germa (a) të Kusht. Kjo dispozitë, e pranuar më 1992 nga shumica e popullit dhe e kantoneve zvicerane (në trajtën e nenit 24 novies (a) Kusht.), bën pjesë konkretisht në një politikë për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, sipas konceptit të pranuar përgjithësisht në këtë vend (FF 1996 III 278; khs. gjithashtu përgjigjen e Këshillit Federal ndaj një interpelance të R. Gonseth të 9 qershorit 1997). [Paditësja] nuk e kundërshton karakterin e paligjshëm të klonimit njerëzor, për më tepër për qëllime tregtare (neni 36 i Ligjit për Lindjen nëpërmjet Ndihmës Mjekësore; neni 119, pika 2, germa (e) Kusht.). Ajo nuk e kundërshton dot seriozisht as faktin se vendosja e lidhjes me sajtin e Clonaid-it përbën ndihmesë për nxitjen e një veprimtarie të paligjshme dhe shkon përtej pohimit të thjeshtë të një mendimi. Rreth kësaj pike të parë, e cila e përligj tashmë vendimin e sulmuar, [paditësja] nuk paraqet kurrfarë argumenti rëndësor në kuptimin e nenit 90, pika 1, germa (b) të Ligjit për Organizimin Gjyqësor.
5.5.2 Më 15 tetor 2003, Qendra Ndërkantonale e Informimit rreth Besimeve ka paraqitur disa informacione lidhur me Lëvizjen Raeliane. Nga ato del konkretisht se kjo e fundit qenka e ngarkuar me një mision politik. Duke i sulmuar me ashpërsi demokracitë, të cilat i trajton si “mediokraci”, ajo mbron “gjeniokracinë”, një model politik të bazuar te koeficienti intelektual i individëve. Një qeveri botërore do t’u përbëka prej gjenish, të zgjedhur nga individë inteligjenca e të cilëve qenka 10% më e lartë sesa mesatarja. Sigurisht, “gjeniokracia” përjetohet si një utopi dhe jo si një projekt i vërtetë politik; ndryshe nga çfarë thotë Gjykata Administrative, kjo doktrinë nuk ngjan se mund t’i trazojë rendin dhe sigurinë publike.
Megjithatë, përveçse shfaqet si me frymëzim gjerësisht eugjenist, ajo është haptazi me natyrë të tillë që mund t’i tronditë bindjet demokratike dhe mosdiskriminuese të cilat ndodhen në themel të një shteti të së drejtës (khs. veçanërisht formulimin e hyrjes së Kushtetutës Federale të 18 prillit 1999, si edhe nenin 8 Kusht. lidhur me barazinë dhe me ndalimin e çdolloj diskriminimi).
5.5.3 Së fundi, sipas vendimit të sulmuar, nuk mund të thuhet se Lëvizja Raeliane predikon pedofilinë. Megjithatë, shërbimet policore qenkan marrë me shumë pjesëtarë të saj për arsye të praktikave të tyre seksuale. Sipas një vendimi të dhënë më 28 nëntor 1997 nga Gjykata e Qarkut e Sarinës, lidhur me një të drejtë përgjigjeje të kërkuar nga Lëvizja Raeliane Zvicerane, thëniet e Raelit në librat e tij mund t’i çuakan disa të rritur drejt shkarjeve seksuale ndaj fëmijëve të mitur. Ky vendim citon disa pjesë nga librat e Raelit, që mund të telengarkohen prej sajtit të shoqatës [paditëse], sipas të cilave edukimi seksual i fëmijëve nuk duhet të qenka vetëm teorik, por të jetë një edukim epshor për t’u treguar atyre se si të marrin andej kënaqësi. I njëjti vendim thotë gjithashtu se, me gjithë mohimin e shprehur më pas rreth kësaj pike, disa artikuj të botuar në buletinin tremujor ndërlidhës “Apocalypse” e përshkruanin fëmijën si një “objekt të privilegjuar seksual”. Në fund përmendet një dënim i një simpatizanti dhe i një anëtari të Lëvizjes Raeliane, nga Gjykata Penale e Voklyzës, me pesë vjet burg për sulm seksual ndaj një vajze dymbëdhjetëvjeçare. Ky vendim është lënë në fuqi më 13 shkurt 1998 nga Gjykata e Kantonit të Friburgut. Kërkesat e bëra prej Lëvizjes Raeliane për një rekurs për ndryshim vendimi dhe për një rekurs sipas të drejtës publike janë rrëzuar më 24 gusht 1998 nga Gjykata Federale, duke pasur parasysh veçanërisht shkrimet me dy kuptime të themeluesit apo të anëtarëve të Lëvizjes (vendimet 5P.172/1998 dhe 5C.104/1998).
Dosja përmban madje dokumente të ndryshme lidhur me procedimet ndaj disa anëtarëve të shoqatës [paditëse] për sulme seksuale; një vendim i 24 janarit 2002 i Gjykatës së Apelit të Lionit bën fjalë qartësisht për abuzime seksuale të kryera nga drejtues të Lëvizjes ndaj disa të miturve pesëmbëdhjetëvjeçarë; kuadrot e Lëvizjes predikuakan kështu “një liri të madhe seksuale fort nxitëse për kalimin në veprim”; ata kishin shthurur kështu adoleshentë të rinj përmes ligjëratash gjoja filozofike, me ledhatime seksuale gjithnjë e më konkrete dhe me nxitje përherë e më shtytëse, për t’i plotësuar pastaj “nevojat e tyre dhe tekat e tyre seksuale me vajza të reja që sapo i kishin mbushur pesëmbëdhjetë vjeç, të cilat shkonin shumë shpejt nga një partner te tjetri”.
Fakti që nenet e fajësuara u përkasin viteve ‘80 e që asnjë dënim nuk është dhënë në Zvicër nuk ndryshon asgjë në përfshirjen e anëtarëve të shoqatës [paditëse] në veprime të ndëshkuara penalisht. [Paditësja] nuk e kundërshton madje aspak faktin se disa pjesë të librave të propozuar në sajtin e saj mund t’i shpinin disa të rritur në abuzime ndaj të miturve. Edhe rreth kësaj pike, argumentimi i [paditëses] nuk u përgjigjet arsyeve të zgjedhura në vendimin e kundërshtuar. Përderisa ka qenë e mundur të vërehen me të vërtetë abuzime nga ana e disa raelianëve, nuk është përcaktues fakti që pedofilia dënohet me vendosmëri nga doktrina zyrtare e Lëvizjes.
5.6 Duke parë çka paraprin më sipër, moslejimi ndaj [paditëses] duket i mbështetur në arsye të mjaftueshme interesi publik, meqenëse fjala është që të parandalohet kryerja e veprimeve që përbëjnë vepra penale sipas të drejtës zvicerane (klonim riprodhues dhe veprime të natyrës seksuale me fëmijë). Nga ana tjetër, leximi i disa pjesëve të librave të propozuar në sajtin e [paditëses] (sidomos “zgjimi epshor” i fëmijëve, “gjeniokracia”) mund t’u shkaktojë tronditje të rëndë lexuesve të tyre.
5.7 [Paditësja] i referohet parimit të përpjesëtueshmërisë. Ajo rikujton se vetë afishja nuk përmban asgjë që të jetë në kundërshtim me rendin publik dhe nuk e pranon që masa të jetë e tillë që ia arrin qëllimit të kërkuar.
5.7.1 Sipas nenit 36, pika 3 Kusht., çdo kufizim i një të drejte themelore duhet të jetë në përpjesëtim me qëllimin e synuar. Ai duhet të jetë i tillë që t’ia arrijë atij qëllimi, dhe të kufizohet në cenimin sa më pak të rëndë të interesave private (vendimi i Gjykatës Federale 125 I 474, pika 3, f. 482 dhe referencat e cituara).
5.7.2 Në çështjen në fjalë, interesi publik nuk është vetëm që të kufizohet reklama e dhënë në sajtin e shoqatës [paditëse], duke pasur parasysh rezervat e shprehura më sipër lidhur me rendin dhe me moralin publik. Fjala është më tepër për të shmangur mundësinë që shteti t’i japë dorë një reklame të tillë e t’i vërë asaj në dispozicion një pjesë të hapësirës publike, çka mund të lërë të kuptohet kështu sikur ai u del në mbrojtje mendimeve dhe veprimeve në fjalë apo i toleron ato. Nga kjo pikëpamje, ndalimi i afishimit është i tillë që ia arrin qëllimit të synuar. Për sa i përket të tjerave, masa e kritikuar nga [paditësja] kufizohet tek afishimi në hapësirën publike. Shoqata [paditëse] mbetet e lirë që t’i shprehë bindjet e saj përmes mjeteve të tjera të shumta të komunikimit që ka në dispozicion (khs. vendimi Murphy i 10 korrikut 2003, Recueil GjEDNj 2003-IX, f. 33, § 74).
5.7.3 [Paditësja] çmon se autoriteti qenkësh dashur t’i propozonte asaj ndryshimet që duhej t’i bëheshin afishes, për ta bërë të lejueshme përmbajtjen e saj. Sidoqoftë, ndonëse ajo i dinte vërejtjet e bëra ndaj fushatës së saj të afishimit, vetë [paditësja] nuk ka propozuar kurrë ndonjë version të afishes i cili të ishte i tillë që të mund të lejohej. Gjykata Administrative ka çmuar nga ana e saj se afishja duhej të ndalohej edhe pa referim ndaj sajtit të internetit, çka duket e diskutueshme; por është e pakundërshtueshme që heqja e adresës në fjalë do t’ia humbiste objektin fushatës së afishimit, përderisa në thelb bëhet fjalë, siç u pa, për një reklamë për vetë sajtin. Për pasojë, nuk shihet se çfarë domethënieje të kuptueshme mund të ruante afishja pa këtë referim ndaj sajtit e ndaj numrit të telefonit.
5.7.4 Masa e kundërshtuar e respekton pra parimin e përpjesëtueshmërisë, në të gjitha aspektet e tij. Ajo përbën, për të njëjtat arsye, një kufizim të nevojshëm “në një shoqëri demokratike”, veçanërisht për mbrojtjen e moralit, në kuptimin e neneve 9 § 2 dhe 10 § 2 KEDNj.”
C. Fushatat e afishimit të shoqatës paditëse në qytete të tjera zvicerane
22. Afishe të ngjashme me atë që është bërë objekti i kësaj çështjeje – të cilat i përmbanin gjithashtu adresën e sajtit të Lëvizjes Raeliane në internet dhe një numër telefoni, por me një tekst të ndryshëm, konkretisht “Fytyra e vërtetë e Zotit” – janë lejuar në dhjetor 1999 në disa qytete zvicerane si Cyrihu dhe Lozana. Shoqata paditëse ka mundur gjithashtu të zhvillojë fushata të tjera me afishe të ndryshme nga ajo e diskutuar në çështjen në fjalë – disa prej të cilave përmbanin adresën e sajtit të Lëvizjes Raeliane në internet – ndërmjet viteve 2004 e 2006 në disa qytete zvicerane me përjashtim të Nëshatelit. Por, në tetor 2004, Këshilli Komunal i Delemonit nuk pranoi të lejonte një fushatë afishimi të kërkuar nga paditësja dhe kjo lidhur me një afishe që përmbante pohimin “Nuk ka Zot”.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA PËRKATËSE
A. E drejta e brendshme
1. Kushtetuta
23. Neni 119 i Kushtetutës Federale të 18 prillit 1999 flet për lindjen përmes ndihmës mjekësore dhe për inxhinierinë gjenetike në fushën njerëzore. Kjo dispozitë është e formuluar si vijon:
“Qenia njerëzore duhet të mbrohet nga shpërdorimet në fushën e lindjes përmes ndihmës mjekësore dhe të inxhinierinë gjenetike.
Konfederata nxjerr ligje për përdorimin e trashëgimisë embrionale dhe gjenetike njerëzore. Duke e bërë këtë, ajo kujdeset që të sigurojë mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, të personalitetit dhe të familjes dhe respekton në veçanti parimet e mëposhtme:
a. ndalohen çdo trajtë klonimi e çdo ndërhyrje në trashëgiminë gjenetike të gameteve dhe të embrioneve njerëzore;
b. trashëgimia gjenetike dhe embrionale jonjerëzore nuk mund as të shpërngulet në trashëgiminë embrionale njerëzore, as të shkrihet me të;
c. përdorimi i metodave të lindjes përmes ndihmës mjekësore lejohet vetëm atëherë kur nuk mund të shmangen në një mënyrë tjetër shterpësia ose rreziku i transmetimit të një sëmundjeje të rëndë, dhe jo për të zhvilluar te fëmija disa cilësi apo për të bërë hulumtime; fekondimi i ovulave njerëzore jashtë trupit të gruas lejohet vetëm në kushtet e parashikuara me ligj; jashtë trupit të gruas deri në stadin e embrionit mund të zhvillohen vetëm ai numër ovulash që mund të implantohen menjëherë;
d. ndalohen dhurimi i embrioneve dhe të gjitha trajtat e amësisë zëvendësuese;
e. nuk mund të tregtohen as materiali embrional njerëzor, as produktet e dala nga embrione;
f. trashëgimia gjenetike e një personi nuk mund të analizohet, të regjistrohet e t’i jepet tjetërkujt përveçse me pëlqimin e tij ose sipas ligjit;
g. çdo person ka të drejtë të njihet me të dhënat lidhur me prejardhjen e tij.”
24. I thirrur në interpelancë nga një parlamentar zviceran lidhur me çështjen nëse ishte me vend që të merreshin masa ndaj Lëvizjes Raeliane duke u mbështetur në pikën a) të kësaj dispozite, Këshilli Federal zviceran ka deklaruar, më 21 maj 2003:
“Përderisa, në Zvicër, Lëvizja e Raelit mjaftohet duke milituar për një njohje shoqërore të teknikave të klonimit – ose edhe për heqjen e ndalimit të klonimit – veprimtaria e saj ka të bëjë me lirinë e mendimit (...)”
2. Rregullorja Administrative e Nëshatelit
25. Në Nëshatel, ashtu si në qytete të tjera zvicerane, administrimi i afishimit në hapësirat publike i takon një shoqërie tregtare private, së cilës Këshilli Komunal i ka dhënë një koncesion në bazë të Rregullores Administrative të Qytetit të 17 janarit 2000. Dispozitat përkatëse të kësaj rregulloreje janë si më poshtë:
Neni 18
“1. Vendosja e mjeteve për afishimin dhe e reklamave, në hapësirë publike e private të dukshme nga hapësira publike, i nënshtrohet lejes.
2. Kjo e fundit jepet vetëm nëse respektohen kushtet në fushën e urbanizmit dhe të sigurisë.”
Neni 19
“1. Drejtoria e policisë mund t’i ndalojë afishet e paligjshme ose në kundërshtim me rregullat morale.
2. Ndalohet afishimi pa leje.”
Neni 20
“E drejta ekskluzive për afishim në mjediset komunale mund të jepet nga Këshilli Komunal.”
B. E drejta ndërkombëtare
26. Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Dinjitetit të Qenies Njerëzore ndaj Zbatimeve të Biologjisë dhe të Mjekësisë, e quajtur gjithashtu “Konventa për të Drejtat e Njeriut dhe Biomjekësinë”, e çelur për nënshkrim më 4 prill 1997 në Oviedo (“Konventa e Oviedos”), ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor 1999. Ajo zbatohet për Zvicrën që prej 1 nëntorit 2008.
27. Protokolli Shtesë i Konventës së Oviedos, i çelur për nënshkrim më 12 janar 1998 në Paris, i hyrë në fuqi më 1 maj 2006 dhe i zbatueshëm për Zvicrën që prej 1 marsit 2010, e ndalon “çdo ndërhyrje që ka si qëllim të krijojë një qenie njerëzore gjenetikisht identike me një qenie tjetër njerëzore të gjallë ose të vdekur”.
LIGJI
I. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 10 TË KONVENTËS
28. Shoqata paditëse ankohet se masat për ndalimin e afishimit të marra nga autoritetet zvicerane kanë cenuar të drejtën e saj të shprehjes të garantuar nga neni 10 i Konventës, i cili shprehet kështu:
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë (...).
2. Ushtrimi i këtyre lirive që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet atyre formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor.”
A. Rreth kërkesës për prapësim paraprak të Qeverisë
29. Në memorandumin e saj të parashtruar Dhomës së Madhe si edhe gjatë seancës së mbajtur para saj, Qeveria e ka ftuar Gjykatën që ta shpallë kërkesëpadinë të papranueshme për mungesë të hapur themelësie. Sipas Qeverisë, Gjykata mund ta shpallte si haptazi të paarsyetuar një ankesë që është shqyrtuar në thelb nga instancat kompetente kombëtare gjatë një procedure i cila i plotëson të gjitha kushtet për drejtësi dhe është e zhveshur nga arbitrariteti. Qeveria nënvizon se, në një rast të tillë, Gjykata nuk duhet që me vlerësimin e vet të fakteve të zëvendësojë atë të autoriteteve të shumta kombëtare të cilat kanë marrë vendim në procedurën objekt mosmarrëveshjeje.
30. Gjykata rikujton se, në kontekstin e nenit 43 § 3 të Konventës, “çështja” e kaluar në Dhomën e Madhe i përfshin të gjitha aspektet e kërkesëpadisë që janë shpallur të pranueshme nga dhoma (shih, ndër të tjera, K. e T. k. Finlandës [DhM], nr. 25702/94, § 141, GjEDNj 2001-VII). Megjithatë, edhe pas vendimit të një dhome për ta shpallur të pranueshëm një ankim, Dhoma e Madhe mund të shqyrtojë gjithashtu, nëse është rasti, disa pika lidhur me pranueshmërinë e kërkesëpadisë, për shembull në bazë të nenit 35 § 4 in fine të Konventës, i cili i jep kompetencë Gjykatës të “rrëzo[jë] çdo kërkesë që e konsideron të papranueshme (...) në çdo fazë të procedimit”, ose kur këto pika janë bashkuar me themelin apo përsëri kur ato paraqesin një interes në fazën e shqyrtimit në themel (K. e T. k. Finlandës, i cituar më lart, § 141, dhe Perna k. Italisë [DhM], nr. 48898/99, §§ 23-24, GjEDNj 2003‑V).
31. Në rastin konkret, Dhoma e Madhe rikujton se dhoma ka qenë e mendimit në vendimin e saj se kërkesëpadia nuk ishte « haptazi e paarsyetuar në kuptimin e nenit 35 § 3 të Konventës” (paragrafi 22 i vendimit të dhomës). Ajo nuk sheh asnjë arsye për t’u larguar nga ky përfundim, përderisa pikat e ngritura nga Qeveria në këtë drejtim kanë të bëjnë më fort me shqyrtimin në themel.
32. Për këtë arsye, Gjykata e rrëzon kërkesën e Qeverisë për prapësim paraprak.
B. Rreth respektimit të nenit 10 të Konventës
1. Vendimi i dhomës
33. Në vendimin e saj të 13 janarit 2011, dhoma ka çmuar fillimisht se ndalimi i fushatës në fjalë të afishimit kishte përbërë vërtet një ndërhyrje në ushtrimin nga ana e paditëses të së drejtës për lirinë e shprehjes. Sipas dhomës, një ndërhyrje e tillë ishte e parashikuar me ligj dhe ndiqte qëllime të drejta: parandalimin e krimit, mbrojtjen e shëndetit dhe të moralit, si edhe mbrojtjen e të drejtave të tjetrit. Dhoma ka marrë pastaj në shqyrtim nevojën e ndërhyrjes: pasi ka vënë re se ndodhej për herë të parë përballë pyetjes nëse autoritetet e brendshme duhej t’i lejonin një shoqate, përmes vënies në dispozicion të hapësirës publike, që të përhapte idetë e saj me anë të një fushate afishimi, ajo ka nënvizuar se, sado që nuk kundërshtohej se afishja në fjalë nuk përmbante asgjë të paligjshme ose të pahijshme as në tekstin e saj, as në ilustrimet e saj, aty figuronte megjithatë adresa e sajtit të shoqatës paditëse në internet. Duke marrë parasysh kuadrin e përgjithshëm ku ndodhej afishja, sidomos idetë e përhapura nga sajti i paditëses në internet si edhe lidhjet ku mund të shkohej prej këtij sajti, dhoma ka rikujtuar se mjetet moderne të përhapjes së informacionit dhe fakti që ky sajt ishte i hapur për këdo, duke përfshirë edhe të miturit, do ta kishin shumëfishuar ndikimin e një fushate afishimi. Duke vërejtur pastaj se juridiksionet zvicerane i kishin arsyetuar me kujdes vendimet e tyre, dhe duke marrë parasysh nga ana tjetër përmasat e kufizuara të ndalimit objekt në këtë konflikt – meqenëse nuk kishte qenë në plan ndalimi i vetë shoqatës apo i sajtit të saj në internet –, dhoma ka qenë e mendimit se autoritetet kompetente nuk e kishin tejkaluar hapësirën e gjerë për vlerësim që u takonte kur ishte fjala për përdorimin më të madh të mjediseve publike. Dhoma ka dalë kështu në përfundimin se nuk kishte pasur shkelje të nenit 10 të Konventës.
2. Tezat e palëve dhe vërejtjet e palës së tretë
a) Shoqata paditëse
34. Shoqata paditëse thekson që në fillim se, duke i dhënë shtetit zviceran një hapësirë aq të gjerë vlerësimi në fushën e përdorimit më të madh të mjediseve publike, dhoma i ka dalë në mbrojtje një politike vetëgjykimore nga ana e autoriteteve kompetente; një qyteti a një shteti i mjaftuaka kështu të thonë se nuk kanë dëshirë që t’ua lidhin emrin me disa ide, të ligjshme por që nuk përbëjnë shumicën, për të bazuar një moslejim sistematik e për t’iu kundërvënë përherë shprehjes së këtyre ideve në publik. Paditësja i referohet në këtë drejtim qëndrimit të mbajtur nga Gjykata në vendimin Women On Waves me të tjerë k. Portugalisë (nr. 31276/05, 3 shkurt 2009), ku kjo ka kritikuar ndalimin që të përhapeshin ide të kundërta me ato të shumicës së popullsisë. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese gjermane, në një vendim të 22 shkurtit 2011 (nr. 1 BvR 699/06), e paska hedhur poshtë argumentin që, nga halli për të ruajtur një atmosferë të këndshme, e përligjte ndalimin e shpërndarjes brenda një aeroporti të trakteve që kundërshtonin politikën në fushën e kthimit mbrapsht të të huajve; Gjykata Kushtetuese federale paska nënvizuar se ajo nuk mund të pranonte ndalime që synojnë të pengojnë shprehjen e mendimeve që nuk mbështeten edhe nga autoritetet.
35. Paditësja vë në dukje se ajo është një shoqatë e regjistruar sipas së drejtës zvicerane dhe e krijuar ligjërisht, e cila nuk ka qenë kurrë objekt i ndonjë sanksioni penal apo i ndonjë mase që të synonte ndalimin e saj. Sipas saj, përderisa nuk është kundërshtuar asnjëherë që afishja e debatuar nuk përmbante në vetvete asgjë që të ishte e paligjshme ose me natyrë të tillë që të trondiste publikun, ndalimi mbështetej në faktin se afishja përmendte sajtin e Lëvizjes Raeliane në internet dhe përbënte kështu një lidhje me idetë e paraqitura në atë sajt. Paditësja çmon kështu se ajo ndodhet në një situatë ku i ndalohet të përhapë idetë e saj përmes afishimit me arsyetimin se zotëron mjete të tjera komunikimi, sidomos sajtin e saj në internet, ndërkohë që, kur jep adresën e sajtit të saj në një afishe, i ndalohet ta bëjë një gjë të tillë me shkas se kjo krijon një lidhje me idetë e saj, të gjykuara si të rrezikshme për publikun. Sipas paditëses, qasja e autoriteteve zvicerane, e miratuar nga dhoma, do të thotë që të vështirësohet tepër, madje të pengohet, çdo reklamë a përhapje e ideve të saj.
36. Lidhur pikërisht me idetë që autoritetet zvicerane dhe dhoma i përmendin duke thënë se ato mund të përbëjnë një bazë për ndalimin e fushatës së afishimit, paditësja përsërit se nuk ka asgjë të paligjshme në faktin që të përkrahen pikëpamje në favor të klonimit ose të “gjeniokracisë”. Ajo rikujton që, ndonëse është e vërtetë se ka shprehur tashmë mendime në favor të klonimit, ajo nuk ka marrë pjesë kurrë në veprime terapeutike ose eksperimentale të lidhura me klonimin njerëzor. Për sa i përket konceptit të “gjeniokracisë”, ajo nënvizon se ndërhyrja në të drejtat e saj bëhet edhe më e rëndë nga fakti që atij nuk i referohen as afishja e fajësuar, as sajti i Lëvizjes Raeliane në internet; në të vërtetë, ky koncept dalka nga një libër i propozuar në sajtin e internetit ku qenkan shprehur mendime filozofike të cilat kushdo është i lirë t’i përqafojë ose jo.
37. Për sa i përket pretendimeve për shkarje seksuale që shkaktuakan idetë e mbrojtura nga Lëvizja Raeliane, paditësja thekson se asnjë autoriteti policor apo gjyqësor nuk i është dashur kurrë të ndërhyjë në çfarëdo çështje pedofilie ose shkarjeje seksuale që të ketë pasur lidhje të afërt a të largët me Lëvizjen Raeliane apo me ndonjë prej anëtarëve të saj. Krejt përkundrazi, ajo nuk paska ngurruar t’i përjashtojë prej radhëve të veta ata anëtarë të saj që qoftë edhe dyshoheshin për sjellje në kundërshtim me legjislacionin për mbrojtjen e të miturve.
38. Paditësja nxjerr përfundimin se nuk ekzistonte asnjë nevojë e domosdoshme për ta ndaluar afishen e fajësuar me arsyetimin se përmendte adresën e një sajti interneti. Duke rikujtuar se neni 10 mbron gjithashtu edhe trajtën në të cilën përcillen idetë (Thoma k. Luksemburgut, nr. 38432/97, § 45, GjEDNj 2001‑III), e duke u bashkuar me mendimin e shprehur nga gjyqtarët kundërshtues Rozakis dhe Vajić – të cilët kanë nënvizuar në këtë drejtim se hapësira për vlerësim nga ana e shtetit ishte më e ngushtë në rastin e detyrimeve negative (Women On Waves me të tjerë, i cituar më lart, § 40) – paditësja çmon se në rastin e çështjes në fjalë ka pasur shkelje të nenit 10 të Konventës.
b) Qeveria
39. Qeveria i pranon pa rezerva jo vetëm parimet themelore që ka rikujtuar dhoma në fushën e lirisë së shprehjes, por gjithashtu edhe zbatimin që u ka bërë ajo atyre. Sipas saj, dhoma ka bërë një peshim krejtësisht të drejtë të interesave në lojë. Lidhur me këtë, Qeveria çmon se duhet të merren parasysh elementet e mëposhtme.
40. Lidhur fillimisht me vënien në dispozicion të mjediseve publike, ajo nënvizon se individët nuk kanë ndonjë të drejtë të pakushtëzuar për një përdorim më të madh të këtyre mjediseve, veçanërisht kur është fjala për reklamime të cilat kanë të bëjnë me një veprimtari me njëfarë rëndësie, të vazhdueshme dhe që përjashton çdolloj përdorimi të kësaj hapësire nga të tretë. Duke rikujtuar se afishja e debatuar nuk përfshihej aspak në ndonjë kontekst politik, Qeveria shënon se është në një mendje me konsideratat e autoriteteve të brendshme, sidomos kur këto kanë çmuar se duhej të shqyrtohej jo vetëm mesazhi i mirëfilltë i reklamës, por edhe përmbajtja e tij, duke përfshirë për pasojë edhe përmendjen e sajtit të internetit. Lidhur me këtë, Qeveria pajtohet me arsyetimin e dhomës se ndikimi i afishes në fjalë do të ishte shumëfishuar nga referenca ndaj adresës së sajtit të Lëvizjes Reliane në internet.
41. Për sa i përket shtrirjes së hapësirës për vlerësim, Qeveria nënvizon se idetë që përhapen në botimet e ndryshme ku mund të hyhet nëpërmjet sajtit të Lëvizjes Raeliane në internet ishin të tilla që mund t’i fyenin bindjet fetare të disa personave, një fushë në të cilën autoritetet gëzonin një hapësirë të gjerë vlerësimi (Murphy k. Irlandës, nr. 44179/98, § 67, GjEDNj 2003‑IX). Lidhur me këtë, Qeveria e kritikon mendimin kundërshtues të bashkëngjitur me vendimin e dhomës, duke qenë e mendimit se ai i jep tepër peshë dallimit midis detyrimeve pozitive dhe detyrimeve negative për të përcaktuar shtrirjen e hapësirës për vlerësim. Sipas Qeverisë, rasti i çështjes në fjalë bëka pjesë në atë kategori çështjesh ku cilësimi i detyrimit – pozitiv ose negativ – varet nga mënyra se si shtrohet pyetja, domethënë nëse autoritetet qortohen sepse e kanë kryer një veprim apo nëse ato qortohen sepse nuk e kanë kryer një veprim. Qeveria e pranon se puna do të ishte ndryshe sikur qasja në hapësirën publike të mos i nënshtrohej asnjë kufizimi apo lejeje, çka nuk qenka rasti i çështjes në fjalë.
42. Lidhur me shqyrtimin e qëllimeve të drejta të synuara nga kufizimi i kundërshtuar, Qeveria shënon se pajtohet me analizën e dhomës, e cila i ka miratuar argumentet e katër autoriteteve kombëtare që e kanë shqyrtuar mosdhënien e lejes për paditësen nga ana e policisë. Për sa u përket kështu mendimeve të paditëses lidhur me “zgjimin epshor” të fëmijëve, Qeveria përmend disa procedura të nisura kundër anëtarëve të Lëvizjes Raeliane për shkak abuzimesh seksuale (Gjykata Penale e Voklyzës, Gjykatat e Apelit të Lionit dhe të Kolmarit si edhe gjyqtari hetues i Versajës). Lista e këtyre vendimeve bëka seriozisht të mendohet se disa pjesë të botimeve që janë të lexueshme në sajtin e Lëvizjes Raeliane mund t’i shtykan të rriturit për të kryer abuzime seksuale ndaj të miturve.
43. Rreth pikës së klonimit, Qeveria nënvizon lidhjen që e bashkon shoqatën paditëse me shoqërinë tregtare Clonaid, të krijuar nga Raeli, e cila propozuaka shërbime të ndryshme konkrete dhe me pagesë në fushën e klonimit, një praktikë që qenka e ndaluar nga Kushtetuta Federale dhe nga legjislacioni penal. Prania e një lidhjeje që shpie drejt sajtit të Clonaid-it në internet i dhënka kështu dorë nxitjes së një veprimtarie të paligjshme dhe shkuaka përtej pohimit të thjeshtë të një mendimi.
44. Për sa i përket « gjeniokracisë », Qeveria thekson se, sado që ky mendim në vetvete nuk është i tillë që të mund të trazojë rendin publik e sigurinë, ai mund t’i tronditë bindjet demokratike dhe antidiskriminuese që qëndrojnë në themel të një shteti të së drejtës. Ajo pajtohet me argumentin e Gjykatës Federale se, megjithëqë mbrojtja e “gjeniokracisë” përjetohet si një utopi e jo si një projekt i vërtetë politik, ajo paraqitet me një frymëzim gjerësisht eugjenist dhe bie ndesh me parimet demokratike.
45. Qeveria vë së fundi në dukje se përmasat e ndalimit janë të kufizuara. Duke u bashkuar në këtë drejtim me qëndrimin e dhomës, ajo çmon se shoqata paditëse nuk është penguar ta përhapte doktrinën e saj përmes mjeteve të tjera të shumta të komunikimit në dispozicion të saj, ndër të cilat interneti. Qeveria nënvizon lidhur me këtë se nuk ka qenë kurrë fjala për të ndaluar sajtin e Lëvizjes Raeliane apo Lëvizjen si të tillë; ajo çmon megjithatë se është me vend që të bëhet njëfarë dallimi midis qëllimit të shoqatës, i cili mund të jetë krejtësisht i ligjshëm, dhe mjeteve të përdorura për ta arritur atë, të cilat, nga ana e tyre, mund të jenë të paligjshme.
46. Për të gjitha këto arsye, Qeveria e fton Dhomën e Madhe që ta lërë në fuqi vendimin e dhomës dhe të dalë në përfundimin se nuk ka pasur shkelje të nenit 10 të Konventës.
c) Pala e tretë
47. Organizata Article 19 i lutet Gjykatës të shqyrtojë me kujdes hapësirën e vlerësimit që duhet t’u njihet shteteve në fushën e kufizimeve të lirisë së shprehjes në çështje të cilat kanë të bëjnë me përhapjen e informacioneve në internet. Sipas Article 19, rëndësia e lirisë së shprehjes në internet nga vështrimi i së drejtës ndërkombëtare porosit që shteteve t’u jepet një hapësirë e ngushtë vlerësimi në këtë fushë. Veçanërisht lidhur me shqyrtimin e lidhjeve që shpien drejt sajteve të tjera, Article 19, duke iu referuar elementeve të së drejtës së krahasuar të qëmtuara sidomos pranë juridiksioneve të Mbretërisë së Bashkuar, të Gjermanisë dhe të Shteteve të Bashkuara, mbron mendimin se një masë e cila kërkon heqjen e një lidhjeje, pa trajtuar më së pari burimin e përmbajtjes që pretendohet se është e paligjshme, do të përbënte përherë një përçapje të shpërpjesëtuar.
3. Vlerësimi i Gjykatës
a) Parime të përgjithshme
48. Parimet e përgjithshme lidhur me lirinë e shprehjes janë të përcaktuara mirë në jurisprudencën e Gjykatës. Vendimi i dhomës, duke iu referuar çështjeve Stoll k. Zvicrës ([DhM], nr. 69698/01, § 101, GjEDNj 2007‑V) dhe Steel e Morris k. Mbretërisë së Bashkuar (nr. 68416/01, § 87, GjEDNj 2005‑II), i ka rikujtuar ato me këto fjalë:
“i. Liria e shprehjes përbën një nga themelet thelbësore të një shoqërie demokratike, një nga kushtet kryesore për përparimin e saj dhe për zhvillimin e gjithsecilit. Me përjashtim të rasteve të parashikuara në paragrafin 2 të nenit 10, ajo vlen jo vetëm për “informacionet” ose “idetë” e mirëpritura ose të konsideruara si të parrezikshme a të parëndësishme, por edhe për ato që lëndojnë, tronditin apo shqetësojnë: kështu e kërkojnë pluralizmi, toleranca dhe fryma e hapjes pa të cilat nuk ka “shoqëri demokratike”. Ashtu siç sanksionohet nga neni 10, ajo shoqërohet me përjashtime të cilat (...) lypin gjithsesi një interpretim të ngushtë, dhe nevoja për ta kufizuar atë duhet të jetë e vërtetuar në mënyrë bindëse (...)
ii. Mbiemri “i nevojshëm”, në kuptimin e nenit 10 § 2, nënkupton një “nevojë të domosdoshme shoqërore”. Shtetet kontraktuese gëzojnë njëfarë hapësire vlerësimi për të gjykuar rreth ekzistencës së një nevoje të tillë, por ajo parëzohet me një kontroll evropian që bëhet njëherazi edhe mbi ligjin, edhe mbi vendimet që e zbatojnë atë, edhe kur këto dalin nga një juridiksion i pavarur. Gjykata ka pra kompetencë për të marrë vendim në shkallë të fundit rreth pikës lidhur me faktin nëse një “kufizim” pajtohet ose jo me lirinë e shprehjes që mbron neni 10.
iii. Gjykata, teksa ushtron kontrollin e saj, nuk ka aspak për detyrë që të zëvendësojë juridiksionet e brendshme kompetente, por që të verifikojë nën këndvështrimin e nenit 10 vendimet që ato kanë dhënë në saje të fuqisë së tyre për të vlerësuar. Nga kjo nuk del që ajo u dashka të kufizohet vetëm duke parë nëse shteti i paditur e ka përdorur këtë fuqi me mirëbesim, me kujdes e në mënyrë të arsyeshme: ajo duhet ta shqyrtojë ndërhyrjen në dritën e tërësisë së çështjes, për të përcaktuar nëse ajo ka qenë “në përpjesëtim me qëllimin e drejtë të ndjekur” dhe nëse arsyet e përmendura nga autoritetet kombëtare për ta përligjur atë duken “rëndësore e të mjaftueshme” (...) Duke bërë këtë, Gjykata duhet të bindet që autoritetet kombëtare kanë zbatuar rregulla në përputhje me parimet e sanksionuara në nenin 10 dhe kjo, për më tepër, duke u mbështetur në një vlerësim të pranueshëm të fakteve përkatëse (...)”
b) Zbatimi i këtyre parimeve në rastin e çështjes në fjalë
i. Ekzistenca e një ndërhyrjeje
49. Askush nuk e kundërshton faktin se paditëses i është bërë një ndërhyrje në të drejtën e saj për lirinë e shprehjes për arsye të ndalimit të fushatës së afishimit që ajo donte të zhvillonte, ndonëse palët kanë debatuar përpara Dhomës së Madhe rreth pikës nëse një kufizim i tillë përbënte një detyrim negativ apo nëse ishte fjala për lëmin e detyrimeve pozitive.
50. Gjykata rikujton lidhur me këtë se zotimit më fort negativ të një shteti për të mos bërë kurrfarë ndërhyrjeje në të drejtat e garantuara prej Konventës “mund t’i shtohen disa detyrime pozitive të lidhura ngushtë” me këto të drejta (Marckx k. Belgjikës, 13 qershor 1979, § 31, seria A nr. 31). Sidoqoftë, për kufirin midis detyrimeve pozitive dhe detyrimeve negative të shtetit sipas Konventës nuk mund të jepet një përkufizim i saktë (Verein gegen Tierfabriken Schweiz (VgT) k. Zvicrës (nr. 2) [DhM], nr. 32772/02, § 82, 30 qershor 2009); në të dyja hipotezat – detyrime pozitive dhe detyrime negative – shteti gëzon njëfarë hapësire vlerësimi (shih, për shembull, Keegan k. Irlandës, 26 maj 1994, §§ 51-52, seria A nr. 290).
51. Në rastin konkret, Gjykata çmon se nuk është e nevojshme të shqyrtohet më parë nëse neni 10 u diktonte autoriteteve zvicerane një detyrim pozitiv. Meqenëse ndalimi objekt në këtë konflikt përbënte gjithsesi një ndërhyrje, kjo e fundit tolerohet vetëm po qe se përmbushen kushtet e parashtruara në paragrafin 2.
ii. Përligjja e ndërhyrjes
52. Një ndërhyrje e tillë në të drejtën e paditëses për lirinë e shprehjes duhet të jetë “e parashikuar me ligj”, e frymëzuar nga një ose disa qëllime të drejta në vështrimin e paragrafit 2 të nenit 10 dhe “e nevojshme në një shoqëri demokratike”.
53. Gjykata vë në dukje që në fillim se palët nuk e kanë kundërshtuar faktin që kufizimi objekt i këtij konflikti mbështetej në nenin 19 të Rregullores Administrative të Qytetit të Nëshatelit (paragrafi 25 i mësipërm).
54. Për sa u përket qëllimeve të drejta të ndjekura nga ky kufizim, Qeveria ka treguar se ky i fundit synonte parandalimin e krimit, mbrojtjen e shëndetit dhe të moralit, si edhe mbrojtjen e të drejtave të tjetrit.
55. Dhoma e Madhe vë re, sikurse dhoma, se paditësja nuk e kundërshton që masa objekt konflikti është marrë për t’i arritur këto qëllime të drejta. Ajo e pranon kështu që kufizimi në fjalë i ndiqte qëllimet e drejta të sipërpërmendura.
56. Për rrjedhojë del se pika kryesore që duhet të përcaktohet në këtë çështje është që të shihet nëse masa objekt konflikti ishte e nevojshme në një shoqëri demokratike.
57. Siç e ka vënë në dukje dhoma, kjo çështje ka veçorinë se shtron pyetjen nëse autoritetet e brendshme duhej ta lejonin shoqatën paditëse që t’i përhapte idetë e veta përmes fushatës së saj të afishimit, dhe këtë duke i vënë asaj në dispozicion një pjesë të hapësirës publike. Gjykata shënon lidhur me këtë se, në dy çështje turke, ajo ka qortuar sigurisht vendime për ndalim fushatash afishimi, viktimë e të cilave kishte qenë një parti politike. Por arsyetimi i saj mbështetej sidoqoftë në faktin se rregullorja që e lejonte një ndalim të tillë “[i shmangej] një kontrolli të rreptë dhe efikas gjyqësor” (Tüzel k. Turqisë, nr. 57225/00, § 15, 21 shkurt 2006, dhe Tüzel k. Turqisë (nr. 2), nr. 71459/01, § 16, 31 tetor 2006).
58. Kjo çështje ka gjithashtu dallim nga çështja Appleby me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar (nr. 44306/98, GjEDNj 2003-VI), ku bëhej fjalë për përdorimin e një hapësire që i përkiste një shoqërie private. Ajo ka dallim së fundi nga çështja Women On Waves, e cila kishte të bënte me ndalimin e hyrjes së një anijeje në ujërat territoriale të një shteti, “hapësirë publike dhe e hapur për vetë natyrën e saj” (vendim i cituar më lart, § 40). Në çështjen në fjalë, nuk ka pasur një ndalim të përgjithshëm të përhapjes së disa ideve, por një ndalim përdorimi të një hapësire publike me rregulla të përcaktuara e të ndodhur brenda një kornize. Siç e ka vënë në dukje dhoma, duke ndjekur në këtë drejtim Gjykatën Federale, individët nuk zotërojnë ndonjë të drejtë të pakushtëzuar ose të pakufizuar për përdorim më të madh të hapësirës publike, sidomos kur bëhet fjalë për mjete që shërbejnë për fushata reklame ose informacioni (paragrafët 14 e 51 të vendimit të dhomës).
α. Hapësira e vlerësimit
59. Gjykata rikujton jurisprudencën e saj të vazhdueshme sipas së cilës, në fushën e nenit 10, shtetet kontraktuese kanë njëfarë hapësire vlerësimi për të gjykuar rreth nevojës dhe përmasave të një ndërhyrjeje në lirinë e shprehjes që mbrohet nga kjo dispozitë (Tammer k. Estonisë, nr. 41205/98, § 60, GjEDNj 2001-I).
60. Megjithatë, kjo hapësirë shkon paralelisht me një kontroll evropian të ushtruar njëherazi mbi ligjin dhe mbi vendimet që e zbatojnë atë, edhe kur këto dalin nga një juridiksion i pavarur (Karhuvaara e Iltalehti c. Finlandës, nr. 53678/00, § 38, GjEDNj 2004-X, dhe Flinkkilä me të tjerë k. Finlandës, nr. 25576/04, § 70, 6 prill 2010). Në ushtrimin e pushtetit të saj për kontroll, Gjykata nuk ka për detyrë të zëvendësojë juridiksionet kombëtare, por asaj i bie barra që të verifikojë, në dritën e tërësisë së çështjes, nëse vendimet që ato kanë dhënë sipas fuqisë së tyre për të vlerësuar pajtohen me dispozitat e përmendura të Konventës (Axel Springer AG k. Gjermanisë [DhM], nr. 39954/08, § 86, 7 shkurt 2012).
61. Shtrirja e një hapësire të tillë për vlerësim ndryshon në varësi të disa elementeve, ndër të cilat një rëndësi të veçantë ka lloji i ligjërimit për të cilin bëhet fjalë. Ndonëse neni 10 § 2 i Konventës nuk lë aspak vend për kufizime ndaj lirisë së shprehjes në fushën politike (Ceylan k. Turqisë [DhM], nr. 23556/94, § 34, GjEDNj 1999‑IV), shtetet kontraktuese kanë përgjithësisht një hapësirë më të madhe vlerësimi kur përcaktojnë rregullat e lirisë së shprehjes në fusha që mund të fyejnë bindje të thella personale lidhur me moralin ose, më veçanërisht, me fenë (Murphy, i cituar më lart, § 67). Po ashtu, shteteve u lihet një hapësirë e gjerë vlerësimi kur është fjala për të përcaktuar rregullat rreth gjuhës tregtare e reklamuese (markt intern Verlag GmbH e Klaus Beermann k. Gjermanisë, 20 nëntor 1989, § 33, seria A nr. 165, dhe Casado Coca k. Spanjës, 24 shkurt 1994, § 50, seria A nr. 285‑A).
62. Në rastin e kësaj çështjeje, Gjykata vëren se mund të mbrohet në mënyrë të arsyeshme mendimi që fushata në fjalë synonte në thelb të tërhiqte vëmendjen e publikut tek idetë dhe veprimtaritë e një grupi me ngjyrim në dukje fetar, i cili synonte të përçonte një mesazh kinse të përcjellë prej jashtëtokësorësh dhe përmendte për këtë qëllim një lidhje në internet. Sajti i paditëses në internet u referohet kështu vetëm rastësisht disa ideve shoqërore ose politike. Gjykata çmon se lloji i ligjërimit në shqyrtim nuk është politik, sepse qëllimi kryesor i sajtit të internetit në fjalë është që të tërheqë njerëz në kauzën e shoqatës paditëse dhe jo të prekë çështje që i takojnë debatit politik në Zvicër. Ndonëse ligjërimi i paditëses del jashtë kornizës së reklamave – nuk bëhet fjalë për të nxitur publikun që të blejë ndonjë produkt të veçantë – prapëseprapë ai ngjason më tepër me gjuhën tregtare sesa me gjuhën politike në kuptimin e ngushtë të fjalës, sepse synon njëfarë propagande fetare. Për rrjedhojë, hapësira për vlerësim e shtetit është më e gjerë.
63. Në raste të tilla, autoritetet kombëtare, falë kontakteve të veta të drejtpërdrejta e të vazhdueshme me forcat e gjalla të vendit të tyre, kanë në parim më shumë mundësi sesa gjyqtari ndërkombëtar për t’u shprehur rreth “nevojës” së një “kufizimi” a “sanksioni” që synon t’u përgjigjet qëllimeve të drejta që ato ndjekin (Müller me të tjerë k. Zvicrës, 24 maj 1988, § 35, seria A nr. 133).
64. Prandaj, administrimi i afishimit publik në kuadrin e fushatave jo rreptësisht politike mund të ndryshojë nga një shtet te një tjetër, madje edhe nga një rajon në një tjetër brenda të njëjtit shtet, sidomos kur është fjala për një shtet që ka zgjedhur një organizim politik të llojit federal. Lidhur me këtë, Gjykata nënvizon se disa autoritete vendore mund të kenë arsye të pranueshme për të mos vendosur kufizime në këtë fushë (Handyside k. Mbretërisë së Bashkuar, 7 dhjetor 1976, § 54, seria A nr. 24). Nuk i takon Gjykatës të përzihet në atë çka zgjedhin të bëjnë autoritetet kombëtare e vendore, të cilat janë më pranë realiteteve të vendit të tyre, përndryshe rrezikon të mos mbahet parasysh karakteri ndihmës i mekanizmit të Konventës (Çështja “lidhur me disa aspekte të regjimit gjuhësor të arsimit në Belgjikë” k. Belgjikës (themel), 23 korrik 1968, § 10, seria A nr. 6).
65. Shqyrtimi nga autoritetet vendore i pikës nëse një afishe u përgjigjet disa kritereve ligjore – për mbrojtjen e disa interesave aq të larmishëm si, për shembull, mbrojtja e moralit publik, siguria rrugore ose mbrojtja e peizazhit – i përket kështu hapësirës për vlerësim të shteteve, meqenëse autoritetet kanë njëfarë kompetence për të lëshuar leje në këtë fushë.
66. Duke pasur parasysh konsideratat që paraprijnë rreth shtrirjes së hapësirës për vlerësim në çështjen në fjalë, Gjykata nxjerr përfundimin se ajo do të mund të detyrohej që ta zëvendësonte vlerësimin e autoriteteve kombëtare me atë të vetin vetëm për arsye serioze.
β. Arsyet e përmendura nga juridiksionet kombëtare
67. Gjykatës i duhet për këtë arsye të shqyrtojë arsyet e përmendura nga autoritetet kombëtare për ta ndaluar fushatën e afishimit në fjalë si edhe përmasat e një ndalimi të tillë, në mënyrë që të verifikojë nëse këto arsye ishin “rëndësore” dhe “të mjaftueshme” e për pasojë nëse, duke pasur parasysh hapësirën për vlerësim që kishin në dispozicion autoritetet kombëtare, ndërhyrja ishte në përpjesëtim me qëllimet e drejta të ndjekura dhe i përgjigjej një “nevoje të domosdoshme shoqërore”. Ajo nënvizon lidhur me këtë se, ndryshe nga çështjet e sipërpërmendura ku Gjykata ka qortuar vendime për ndalim fushatash afishimi për arsye të mungesës së kontrollit të rreptë dhe efikas gjyqësor (Tüzel, i cituar më lart, § 15, dhe Tüzel (nr. 2), i cituar më lart, § 16), në çështjen në fjalë nuk shtrohet asnjë pikëpyetje për sa i përket efikasitetit të kontrollit gjyqësor të kryer prej gjykatave kombëtare.
68. Palët kanë debatuar fillimisht në këtë drejtim për pikën nëse ishte apo jo e udhës që, për shqyrtimin e nevojës së masës së fajësuar dhe ashtu siç e kanë bërë juridiksionet e brendshme, të merrej në konsideratë përmbajtja e sajtit të Lëvizjes Raeliane në internet, të cilit i referohej afishja objekt në këtë konflikt. Në dritën e parimit se Konventa dhe Protokollet e saj duhet të interpretohen duke pasur parasysh kushtet e sotme të jetesës (Tyrer k. Mbretërisë së Bashkuar, 25 prill 1978, § 31, seria A nr. 26, dhe Vo k. Francës [DhM], nr. 53924/00, § 82, GjEDNj 2004‑VIII), dhoma ka qenë e mendimit se ky rast duhej të ishte i tillë, përderisa ndikimi i afishes mbi publikun do të shumëfishohej për arsye të referimit te një sajt interneti i cili ishte i hapur për këdo, duke përfshirë edhe të miturit.
69. Gjykata rikujton parimin e përgjithshëm sipas të cilit asaj i duhet që ta shqyrtojë ndërhyrjen objekt konflikti në dritën e tërësisë së çështjes për të përcaktuar nëse ajo ishte “në përpjesëtim me qëllimin e drejtë të ndjekur” dhe nëse arsyet e përmendura nga autoritetet kombëtare për ta përligjur atë duken “rëndësore dhe të mjaftueshme” (paragrafi 48 i mësipërm). Ajo vëren se afishja objekt në këtë konflikt kishte qartazi si qëllim që të tërhiqte vëmendjen e publikut te sajti i internetit: adresa e këtij sajti paraqitej aty me germa të trasha nën fjalinë “Mesazhi i dhënë nga jashtëtokësorët” (paragrafi 14 i mësipërm). Do të ishte pra e palogjikshme që Gjykata të merrte në shqyrtim vetëm afishen e mirëfilltë; asaj i duhet gjithashtu të shqyrtojë, nën shembullin e juridiksioneve të brendshme, edhe përmbajtjen e sajtit të internetit në fjalë.
70. Lidhur me arsyet, Gjykata vë re që në fillim, sipas shembullit të dhomës, se të pesë juridiksionet e brendshme që e kanë shqyrtuar çështjen (Drejtoria e Policisë, Këshilli Komunal, Departamenti i Administrimit të Territorit i Nëshatelit, Gjykata Administrative dhe Gjykata Federale) i kanë përligjur me kujdes vendimet e tyre duke shpjeguar se përse e çmonin të udhës që të mos lejohej fushata e afishimit. Gjykata Federale, juridiksioni më i lartë kombëtar, i është referuar në veçanti nenit 10 të Konventës si edhe jurisprudencës së Gjykatës në këtë fushë dhe e ka shqyrtuar përpjesëtueshmërinë e masës objekt të këtij konflikti.
71. Në arsyetimin e saj me anë të të cilit ajo e ka gjykuar si të mbështetur mospranimin e autoriteteve për ta lejuar fushatën në fjalë, Gjykata Federale ka shqyrtuar një pas një secilën nga arsyet e paraqitura prej juridiksioneve më të ulëta për të nxjerrë si përfundim karakterin e përligjur të mospranimit të sipërpërmendur, konkretisht nxitjen e klonimit njerëzor, propagandën në favor të “gjeniokracisë” dhe mundësinë që shkrimet dhe idetë e Lëvizjes Raeliane të shkaktojnë abuzime seksuale ndaj të miturve nga ana e disa anëtarëve të saj.
72. Ndonëse disa nga këto arsye, të marra veç e veç, mund të mos jenë me natyrë të tillë që e përligjin moslejimin objekt të këtij konflikti, Gjykata çmon se autoritetet e brendshme kanë mundur në mënyrë të arsyeshme që të jenë të mendimit, duke parë tërësinë e rrethanave të çështjes, se ishte e domosdoshme të ndalohej fushata në fjalë, për qëllim të mbrojtjes së shëndetit dhe të moralit, si edhe të mbrojtjes të të drejtave të tjetrit dhe të parandalimit të krimit. Dhoma është shprehur konkretisht si vijon (paragrafët 55-57 të vendimit):
“55. (...) Së pari, sajti i shoqatës shpie tek ai i Clonaid-it, ku kjo shoqëri i ofron publikut shërbime konkrete në fushën e klonimit dhe ku ajo kishte njoftuar, në fillim të vitit 2003, lindjen e fëmijëve të klonuar. Së dyti, Gjykata Administrative i është referuar një vendimi të Gjykatës së Qarkut të Sarinës, i cili bënte fjalë për shkarje të mundshme seksuale ndaj fëmijëve të mitur. Së treti, propaganda në favor të “gjeniokracisë”, apo doktrinës sipas së cilës pushteti u dashka që t’u jepet individëve që kanë një koeficient të lartë intelektual , dhe kritika që u drejtohet për rrjedhojë demokracive të sotme, ishte e tillë që mund të cenonte ruajtjen e rendit, të sigurisë dhe të moralit publik.
56. Gjykata çmon se qortimet e formuluara nga instancat e brendshme ndaj disa anëtarëve të shoqatës paditëse lidhur me veprimtaritë e tyre seksuale me të mitur ishin veçanërisht shqetësuese. (...) Sigurisht, Gjykata nuk është në parim kompetente për të rishikuar faktet e përcaktuara nga instancat e brendshme ose zbatimin me korrektësi të së drejtës së brendshme; për këtë arsye, ajo nuk shtyhet të verifikojë nëse vërtetohen qortimet e formuluara nga autoritetet. Përkundrazi, Gjykata çmon se, duke pasur parasysh rrethanat e çështjes në fjalë, autoritetet kishin arsye të mjaftueshme për ta parë si të nevojshme mosdhënien e lejes së kërkuar nga shoqata paditëse.
57. Konsiderata të ngjashme diktohen edhe lidhur me çështjen e klonimit. Gjykata çmon se autoritetet e brendshme kanë mundur të mendojnë sinqerisht se, për mbrojtjen e shëndetit e të moralit si edhe për parandalimin e krimit, ishte e domosdoshme të ndalohej fushata e afishimit, përderisa shoqata paditëse propozon në sajtin e saj në internet një lidhje drejt atij të Clonaid-it, ndërmarrje të cilën ajo e ka krijuar vetë (...). Madje ajo ka shprehur, dhe e pranon edhe vetë këtë gjë, një mendim në favor të klonimit, veprimtari qartësisht e ndaluar nga neni 119 pika 2 a i Kushtetutës Federale (...).”
Dhoma e Madhe nuk dallon ndonjë arsye për t’u shmangur nga konsideratat e dhomës në këtë drejtim. Gjykata çmon pra se shqetësimet e shprehura nga autoritetet e brendshme mbështeteshin në arsye rëndësore dhe të mjaftueshme.
73. Dhoma ka qenë së fundi e mendimit se masa objekt konflikti kishte fundja një përmasë të kufizuar, meqenëse paditësja mbetej e lirë “për t’i shprehur bindjet e saj me anë të shumë mjeteve të tjera të komunikimit që kishte në dispozicion”; dhoma ka theksuar gjithashtu se nuk kishte “qenë kurrë fjala për të ndaluar shoqatën paditëse si të tillë, as sajtin e saj në internet” (paragrafi 58 i vendimit të dhomës).
74. Shoqata paditëse mbron mendimin se ky qëndrim i dhomës është kontradiktor dhe e ndërlikon deri në tepri përhapjen e ideve të saj, duke qenë se asaj i ndalohet të japë informacione me anë të afishimit me arsyetimin se zotëron një sajt interneti, ndërkohë që, kur përhap adresën e sajtit të saj në një afishe, i ndalohet ta bëjë këtë gjë me shkas se kjo krijon një lidhje me idetë e saj, të gjykuara si të rrezikshme për publikun.
75. Në sytë e Gjykatës, një kontradiktë e tillë është megjithatë vetëm në dukje. Bashkë me Qeverinë, ajo çmon se është me vend që të bëhet dallimi ndërmjet qëllimit të shoqatës dhe mjeteve që kjo e fundit përdor për ta arritur atë. Kështu, në rastin e çështjes në fjalë, do të kishte qenë mbase diçka e shpërpjesëtuar që të ndalohej shoqata si e tillë ose sajti i saj në internet mbi bazën e elementeve të shqyrtuara këtu më sipër (shih lidhur me këtë Association Rhino me të tjerë k. Zvicër, nr. 48848/07, §§ 66-67, 11 tetor 2011). Ngushtimi i përmasave të kufizimit të fajësuar vetëm tek afishimi në hapësirën publike ishte kështu një mënyrë për ta zvogëluar në minimum ndërhyrjen në të drejtat e paditëses. Gjykata rikujton lidhur me këtë se, kur vendosin t’i kufizojnë të drejtat themelore të të interesuarve, autoritetet duhet të zgjedhin ato mjete që i cenojnë sa më pak të drejtat në fjalë (Women On Waves, i cituar më lart, § 41). Duke marrë parasysh faktin se paditësja është në gjendje që t’i përhapë idetë e veta përmes sajtit të saj në internet si edhe me mjete të tjera në dispozicion të saj, si shpërndarja e trakteve në rrugë ose nëpër kutitë postare, nuk mund të thuhet se masa objekt i këtij konflikti ishte e shpërpjesëtuar.
c) Përfundim
76. Gjykata nxjerr përfundimin se autoritetet kombëtare nuk e kanë tejkaluar hapësirën e gjerë për vlerësim që kishin në rastin e çështjes në fjalë dhe se arsyet e paraqitura për t’i motivuar vendimet e tyre ishin “rëndësore dhe të mjaftueshme” dhe i përgjigjeshin një “nevoje të domosdoshme shoqërore”. Gjykata nuk sheh pra asnjë arsye serioze për ta zëvendësuar me vlerësimin e saj atë të Gjykatës Federale, e cila e ka shqyrtuar çështjen e debatuar me kujdes dhe në respekt të parimeve të parashtruara nga jurisprudenca e Gjykatës.
77. Për këtë arsye, nuk ka pasur shkelje të nenit 10 të Konventës.
(...)
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Rrëzon, njëzëri, kërkesën për prapësim paraprak të ngritur nga Qeveria;
2. Thotë, me nëntë vota në favor dhe tetë kundër, se nuk ka pasur shkelje të nenit 10 të Konventës;
(...)
I hartuar në frëngjisht dhe në anglisht, pastaj i shpallur në seancë publike në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 13 korrik 2012.
Michael O’BoyleNicolas Bratza
ZëvendëssekretarPrésident
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të Rregullores, paraqitja e mendimeve më vete të mëposhtme:
– mendim pajtues i gjyqtarit Bratza;
– mendim kundërshtues i përbashkët i gjyqtarëve Tulkens, Sajó, Lazarova Trajkovska, Bianku, Power-Forde, Vučinić dhe Yudkivska;
– mendim kundërshtues i përbashkët i gjyqtarëve Sajó, Lazarova Trajkovska dhe Vučinić;
– mendim kundërshtues i gjyqtarit Pinto de Albuquerque.
N.B.
M.O’B.
Mendimet më vete nuk janë përkthyer, por janë në anglisht dhe/ose në frëngjisht në variant(in/et) e vendimit në gjuhë zyrtare dhe mund të shihen bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy