© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA M.S.S. KUNDËR BELGJIKËS DHE GREQISË
(Kërkesë nr. 30696/09)
VENDIM
STRASBURG
21 Janar 2011
Ky vendim është përfundimtar, por ai mund t’i nënshtrohet korrigjimeve.
Në çështjen M.S.S. kundër Belgjikës dhe Greqisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Dhoma e Madhe me trup gjykues të përbërë prej:
Jean-Paul Costa, President,
Christos Rozakis,
Nicolas Bratza,
Peer Lorenzen,
Françoise Tulkens,
Josep Casadevall,
Ireneu Cabral Barreto,
Elisabet Fura,
Khanlar Hajiyev,
Danutė Jočienė,
Dragoljub Popović,
Mark Villiger,
András Sajó,
Ledi Bianku,
Ann Power,
Işıl Karakaş,
Nebojša Vučinić, gjyqtarë,
dhe Michael O’Boyle, zëvendës kancelar,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 1 shtator dhe 15 dhjetor 2010,
Jep këtë vendim, i cili u mor në datën e fundit të lartpërmendur:
PROCEDURA
1. Çështja e ka filluar zanafillën në bazë të kërkesës (nr. 30696/09) kundër Mbretërisë së Belgjikës dhe Republikës Helenike drejtuar në Gjykatë, sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa") nga një shtetas afgan,
Z. M.S.S. (“kërkuesi”), më 11 qershor 2009. Presidenti i Dhomës së cilës iu dha për gjykim çështja pranoi kërkesën për mos bërjen publike të emrit nga ana e kërkuesit (neni 47 § 3 i Rregullores së Gjykatës).
2. Kërkuesi u përfaqësua nga Z. Z. Chihaoui, jurist që ushtron aktivitetin në Bruksel. Qeveria Belge u përfaqësua nga agjenti i saj, Z. M. Tysebaert, dhe bashkë- agjenti, Znj. I. Niedlispacher. Qeveria Greke u përfaqësua nga Asistenti Ligjor i Këshillit Shtetëror Ligjor.
3. Kërkuesi pretendoi, në veçanti se, dëbimi i tij nga autoritet belge ishte në shkelje të nenin 2 dhe 3 të Konventës dhe se në Greqi i është nënshtruar trajtimeve të cilat ndalohen nga neni 3; gjithashtu nuk kishte pasur mjetet ligjore në dispozicion sipas nenit 13, për shqyrtimin e ankesës së tij.
4. Kërkesa ju dha për gjykim Seksionit të dytë të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Më 19 nëntor 2009, Gjykata vendosi t’ia komunikonte Qeverive kërkesën e paraqitur. Më 16 mars 2010, Dhoma, e përberë nga Presidenti Ireneu Cabral Barreto dhe gjyqtarët: Françoise Tulkens, Vladimiro Zagrebelsky, Danutė Jočienė, Dragoljub Popović, András Sajó, Nona Tsotsoria, dhe gjithashtu kancelarja e Seksionit Sally Dollé, hoqi dorë nga juridiksioni në favor të Dhomës së Madhe, dhe as nga palët nuk pati kundërshtim për këtë. (neni 30 i Konventës dhe neni 72 i Rregullores së Gjykatës).
5. Përbërja e Dhomës së Madhe u caktua në përputhje me dispozitat e nenit 26 §§ 4 dhe 5 të Konventës dhe nenit 24 të Rregullores së Gjykatës.
6. Sipas dispozitave të nenit 29 § 1 të Konventës ajo vendosi të shqyrtojë themelin e kërkesës në të njëjtën kohë me pranueshmërinë e saj.
7. Kërkuesi dhe Qeveria paraqitën pretendimet me shkrim (neni 59 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Palët iu përgjigjën pretendimeve të njeri-tjetrit në seancë (neni 44 § 5 i Rregullores së Gjykatës). Vëzhgime me shkrim u paraqitën gjithashtu nga Qeveritë e Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar si dhe nga Qendra për Këshillimin mbi të Drejtat Individuale në Evropë (“Qendra Aire”) dhe Amensty International, të autorizuar nga Presidenti i Dhomës për të ndërhyrë (neni 36 § 2 të Konventës dhe neni 44 § 2 i Rregullores së Gjykatës). Vëzhgime u paraqiten edhe nga Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut (“Komisioneri”), Zyra e Komisionerit të Lartë për Refugjatët i Kombeve të Bashkuara (“UNHCR”) dhe Monitoruesi i Helsinkit Grek (“GHM”), të autorizuar nga Kryetari i Gjykatës për të ndërhyrë. Qeveritë e Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, Komisioneri dhe UNCHR-ja u autorizuar gjithashtu të merrnin pjesë në seancat dëgjimore.
8. Seanca publike gjyqësore u zhvillua në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg më 1 shtator 2010 (neni 59 § 3 i Rregullores së Gjykatës).
U paraqiten përpara Gjykatës:
– për Qeverinë belge,
Z.Marc Tysebaert, Agent of the Government,Agjent;
Znj.Isabelle Niedlispacher, co-Agent,
Znj. Edda Materne, laëyer,Përfaqësues ligjor;
Znj. Valérie Demin, attachée, Aliens Office,Këshilltar.
– për Qeverinë greke,
Z. Konstantinos Georgiadis, Këshilltar,
Këshilli Shtetëror Ligjor, Delegat i Agjentit,
Znj. Myrto Germani, Asistente ligjore,
Këshilli Shtetëror Ligjor Përfaqësuese ligjore.
– për kërkuesit,
Z. Zouhaier Chihaoui, jurist,Përfaqësues ligjor;
– për Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, palë e tretë,
Z. Martin Kuzmicki, Agjent,
Znj. Lisa Giovanetti, Përfaqësues ligjor;
– për Qeverinë e Holandës, palë e tretë,
Z. Roeland Böcker, Agjent,
Z. Martin Kuijer, Ministria e Drejtësisë,
Znj. Clarinda Coert, Departamenti i Emigracionit dhe Natyralizimit,
Këshilltar;
– për Komisionerin e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, palë e tretë,
Z. Thomas Hammarberg, Komisioner
Z. Nikolaos Sitaropoulos, Zevendes Drejtor,
Znj. Anne Weber,Këshilltar;
– për Zyrën e Komisionerit të Lartë për Refugjatët, i Kombeve të
Bashkuara, palë e tretë,
Z. Volker Türk, Drejtor i Departamentin të Mbrojtjes
Ndërkombëtare, Përfaqësues ligjor,
Znj. Madeline Garlick, Shefe e Njësisë së Mbështetjes Ligjore dhe
Policore, Zyra e Evropës,
Z. Cornelis Wouters, këshilltar i parë mbi ligjin e emigracionit,
Departamenti i Mbrojtjes Kombëtare, Këshilltar.
Gjykata dëgjoi parashtresat dhe përgjigjet e pyetjeve të ngritura prej saj nga Znj. Niedlispacher, Znj. Materne, Znj. Germani, Z. Chihaoui, Z. Böcker, Znj. Giovanetti, Z. Türk dhe Z. Hammarberg.
FAKTE
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
A. Hyrja në Bashkimin Evropian
9. Kërkuesi është larguar nga Kabuli në fillim të vitit 2008 dhe duke udhëtuar nëpërmjet Iranit dhe Turqisë, hyri në Bashkimin Evropian përmes Greqisë, ku më 7 dhjetor 2008 iu morën shenjat e gishtave në Mytilenë.
10. Ai u ndalua për një javë, dhe kur u lirua, iu lëshua një urdhër për t’u larguar nga vendi. Ai nuk kishte kërkuar azil në Greqi.
B. Procedurat e azilit dhe të dëbimit në Belgjikë
11. Më 10 shkurt 2009, pas kalimit transit nëpër Francë, kërkuesi mbërriti në Belgjikë, ku u paraqit vetë në Zyrën e të Huajve pa dokumente identiteti dhe aplikoi për azil.
12. Shqyrtimi dhe krahasimi i shenjave të gishtërinjve të kërkuesit prodhuan një raport Eurodac më 10 shkurt 2009 që tregonte se kërkuesi kishte qenë i regjistruar në Greqi.
13. Kërkuesi u vendos fillimisht në qendrën e pritjes Lanaken, të hapur për azilkërkuesit.
14. Më 18 mars 2009, në bazë të nenit 10 § 1 të Rregullores nr. 343/2003/EC (Rregullorja e Dublinit, shih paragrafët 65-82 më poshtë), Zyra për të Huajt i paraqiti një kërkesë autoriteteve greke për të marrë përgjegjësinë e kërkesës për azil. Autoritetet greke nuk u përgjigjen brenda periudhës dy mujore të parashikuar në nenin 18 § 1 të Rregullores, dhe kështu Zyra për të Huajt e konsideroi këtë një pranim të heshtur të kërkesës për të marrë përgjegjësinë e kërkesës, në përputhje me paragrafin 7 të kësaj dispozite.
15. Gjatë intervistës së tij sipas Rregullores së Dublinit më 18 mars 2009, kërkuesi deklaroi për Zyrën për të Huajt se, ai kishte ikur nga Afganistani me ndihmën e një kontrabandistit të cilit i kishte paguar 12 000 dollarë dhe i cili i kishte marrë dokumentet e tij të identitetit. Ai tha se kishte zgjedhur Belgjikën pasi kishte takuar disa ushtarë belgë të Traktatit të Atlantikut Verior (Organizata NATO) që ishin shumë miqësorë. Ai gjithashtu kërkoi që autoritetet belge të shqyrtonin shqetësimet e tij. Kërkuesi u tregoi atyre se, kishte një motër në Holandë me të cilën kishte humbur kontaktet. Ai gjithashtu përmendi se, kishte pasur hepatitin B dhe ishte trajtuar për tetë muaj.
16. Më 2 prill 2009, UNHCR-ja i dërgoi një letër Ministrit belg për Politikat e Migracionit dhe Azilit, ku kritikonte mangësitë në procedurën e azilit dhe kushtet e pranimit të azilkërkuesve në Greqi dhe rekomandonte pezullimin e transferimeve në Greqi (shih paragrafët 194 dhe 195 , më poshtë). Një kopje iu dërgua Zyrës për të Huajt.
17. Më 19 maj 2009, në zbatim të nenit 51/5 i Ligjit të 15 dhjetorit 1980, për hyrjen, rezidencën, vendosjen dhe dëbimin e të huajve ("Ligji për të Huajt"), Zyra për të Huajt vendosi refuzimin e qëndrimit për kërkuesin dhe lëshoi urdhrin për largimin e tij nga vendi. Arsyet e dhëna ishin se, në bazë të Rregullores së Dublinit, Belgjika nuk ishte përgjegjëse për shqyrtimin e kërkesës për azil; Greqia ishte përgjegjës dhe nuk kishte asnjë arsye për të dyshuar se autoritetet greke do të dështonin në përmbushjen e detyrimeve të tyre në çështjet e azilit sipas së drejtës komunitare dhe Konventës së Gjenevës të vitit 1951 në lidhje me Statusin e Refugjatëve. Kështu, kërkuesi kishte garanci se, me të mbërritur në Greqi do të kishte mundësi të paraqiste një kërkesë për azil, e cila do të shqyrtohej në përputhje me rregullat dhe rregulloret përkatëse. Autoritetet belge nuk ishin të detyruara për të zbatuar klauzolën e derogimit të parashikuar në nenin 3 § 2 të Rregullores. Së fundi, kërkuesi nuk kishte vuajtur nga asnjë problem shëndetësor që mund ta ndalonte transferimin e tij dhe nuk kishte të afërm në Belgjikë.
18. Në të njëjtën ditë, kërkuesi u mor në paraburgim me qëllim të zbatimit të këtij vendimi dhe u vendos në ambientet e mbyllura të qendrës 127 bis ku mbaheshin qytetarët e huaj të paligjshëm, në Steenokkerzeel.
19. Më 26 maj 2009 Komiteti belg për Ndihmë ndaj Refugjatëve, partner operacional i UNHCR-së në Belgjikë, ishte njohur me të dhënat e kontaktit të avokatit të caktuar për kërkuesin.
20. Më 27 maj 2009 Zyra për të Huajt kishte planifikuar largimin e tij për datën 29 maj 2009.
21. Në orën 10.25 në ditën e caktuar, në Tongres, avokati i parë i kërkuesit paraqiti një kërkesë me faks Këshillit të Mosmarrëveshjeve për të Huajt ku i kërkonte anulimin e urdhrin për t’u larguar nga vendi, së bashku me një kërkesë për pezullimin e ekzekutimit sipas procedurës tejet urgjente. Arsyet e dhëna, bazuar në veçanti në nenin 3 të Konventës, i referoheshin një rreziku të ndalimit arbitrar në Greqi në kushte të mjerueshme, dhe rrezikut të keqtrajtimit. Kërkuesi u mbështet edhe në mangësitë në procedurën e azilit në Greqi, mungesën e aksesit efektiv në procedurat gjyqësore dhe frikën e tij se mund të kthehej në Afganistan, pa një shqyrtimin të arsyeve që ai kishte pasur për t’u larguar nga vendi.
22. Seanca ishte planifikuar për të njëjtën ditë, në orën 11.30, në selinë e Këshillit të Mosmarrëveshjeve për të Huajt në Bruksel. Avokati i kërkuesit nuk ishte i pranishëm në seancë dhe kërkesa për pezullimin e ekzekutimit u refuzua në të njëjtën ditë, për mos marrje pjesë.
23. Kërkuesi refuzoi të hipte në avion më 29 maj 2009 dhe u urdhërua rinovimi i ndalimit të tij në bazë të nenit 27, paragrafi 1, Ligjit për të Huajt.
24. Më 4 qershor 2009, autoritetet greke dërguan një dokument standard ku konfirmonin se, ishte përgjegjësi e tyre sipas neneve 18 § 7 dhe 10 § 1 të Rregullores së Dublinit për të shqyrtuar kërkesën e ankuesit për azil. Dokumenti konfirmues mbyllej me fjalinë e mëposhtme: "Ju lutem vini re se ky person në qoftë se dëshiron, mund të paraqesë një kërkesë [për azil] kur të arrijë në Greqi."
25. Më 9 qershor 2009 ndalimi i kërkuesit u konfirmua me urdhër të chambre du conseil të Gjykatës së Shkallës së Parë në Bruksel.
26. Në apel më 10 qershor, Dhoma e Aktakuzave e Gjykatës së Apelit në Bruksel caktoi një seancë dëgjimore në 22 qershor 2009.
27. I njoftuar më 11 qershor 2009 se, largimi i tij ishte planifikuar për datën 15 qershor, kërkuesi depozitoi një kërkesë të dytë, nëpërmjet avokatit të tij aktual, tek Këshilli i Mosmarrëveshjeve për të Huajt për të anuluar urdhrin për t’u larguar nga territori. Ai u mbështet në rreziqet me të cilat do të përballej në Afganistan dhe ato me të cilat do të përballej nëse transferohej në Greqi për shkak të shanseve të pakta që kërkesa e tij për azil të shqyrtohej siç duhej dhe kushtet e mjerueshme të ndalimit dhe pritjes së azilkërkuesve në Greqi
28. Një transferim i dytë u organizua më 15 qershor 2009, këtë herë i shoqëruar.
29. Me dy vendime të 3 dhe 10 shtatorit 2009, Këshilli i Mosmarrëveshjeve për të Huajt hodhi poshtë kërkesat për anulimin e urdhrit për t’u larguar nga vendi - i pari, sepse kërkuesi nuk kishte paraqitur kërkesë për vazhdimin e procedurës brenda kohës së kërkuar prej pesëmbëdhjetë ditësh nga dhënia vendimit të refuzimit të kërkesës për pezullimin e ekzekutimit, të depozituar sipas procedurës tejet urgjente, dhe e dyta për shkak se kërkuesi nuk kishte paraqitur një memorial në kundërpërgjigje.
30. Asnjë ankesë administrative mbi çështje të ligjit nuk iu paraqit Conseil d’Etat.
C. Kërkesa për masa të ndërmjetme kundër Belgjikës
31. Ndërkohë, më 11 qershor 2009, kërkuesi aplikoi në Gjykatë, përmes avokatit të tij, për të pezulluar transferimin e tij në Greqi. Përveç rreziqeve me të cilat ai ishte përballur në Greqi, ai pohoi se, kishte ikur nga Afganistani pasi u arratis prej një tentative për vrasje nga talebanët në reprezalje për punën e tij si përkthyes për trupat e forcës ajrore ndërkombëtare të vendosura në Kabul. Në mbështetje të pohimeve të tij, ai paraqiti certifikata që konfirmonin se ai kishte punuar si përkthyes.
32. Më 12 qershor 2009 Gjykata refuzoi të zbatojë nenin 39 të Rregullores së Gjykatës, por informoi Qeverinë greke se vendimi i saj ishte bazuar në besimin se Greqia do të respektonte detyrimet e veta sipas Konventës dhe sipas legjislacionit të BE për azilin. Letra dërguar Qeverisë greke lexonte si më poshtë:
“Ky vendim u bazua në mirëkuptimin e qartë se Greqia, si një Shtet Kontraktues, do t’i përmbahet detyrimeve të saj sipas neneve 3, 13 dhe 34 të Konventës. Seksioni shprehu gjithashtu besimin e tij se Qeveria juaj do të përmbushë detyrimet e saj sipas:
- Rregullores së Dublinit të përmendur më sipër;
- Direktivës të Këshillit 2005/85/EC të 1 dhjetorit 2005 për standardet minimale mbi procedurat për dhënien dhe tërheqjen e statusit të refugjatit në Shtetet Anëtare; dhe
- Direktivës së Këshillit 2003/9/EC e 27 janarit 2003 ku përcaktohen standardet minimale për pritjen e azilkërkuesve.
Do të jemi mirënjohës nëse qeveria juaj do të informojë Gjykatën për progresit e çdo pretendimi për azil të bërë nga kërkuesit në Greqi, si dhe vendin e ndalimit, nëse ai është ndaluar pas mbërritjes në Greqi.”
D. Marrja e masave të ndërmjetme kundër Greqisë
33. Më 15 qershor 2009 kërkuesi u transferua në Greqi. Në mbërritje në aeroportin ndërkombëtar të Athinës ai i dha emrin e tij siç ishte përdorur në marrëveshje për të marrë përgjegjësi, të lëshuar nga autoritetet greke.
34. Më 19 qershor 2009 avokati i kërkuesit mori mesazhin e parë të shkruar (SMS), për të cilin informoi Gjykatën. Aty thuhej se, pas mbërritjes kërkuesi ishte ndaluar menjëherë dhe ishte vendosur në një ndërtesë afër aeroportit, i kyçur në një hapësirë të vogël me 20 të ndaluar të tjerë, mund të shkonte në tualet vetëm sipas diskrecionit të rojeve, nuk ishte lejuar të dilte në ajër të hapur, i ishte dhënë shumë pak për të ngrënë dhe kishte fjetur në një dyshek të pistë, ose në dysheme.
35. Kur u lëshua më 18 qershor 2009, atij iu dha karta e azilkërkuesit ("karta rozë", shih paragrafin 89 më poshtë). Në të njëjtën kohë policia i dha atij njoftimin si më poshtë (përkthimi i realizuar nga Qeveria greke):
“Në Spata, më 18.06.2009 në orën 12.58, unë, i nënshkruari oficeri i policisë [...], kam njoftuar shtetasin afgan [...], i lindur në [...], pa adresë të regjistruar, se duhet të raportojë brenda dy ditëve në Drejtorinë për të Huajt të Departamentit të azilit së Policisë të Atikës dhe të deklarojë adresën e tij të banimit në Greqi në mënyrë që ai të mund të informohet për zhvillimet lidhur me kërkesën e tij për azil.”
36. Kërkuesi nuk kishte raportuar në qendrën e policisë së Atikës në Avenynë Petrou Ralli në Athinë (që këtej e tutje "qendra e policisë së Atikës").
37. Duke mos pasur mjetet e jetesës, kërkuesi shkoi për të jetuar në një park në qendër të Athinës, ku qëndronin dhe azilkërkues të tjerë afganë.
38. Duke qenë të informuar për situatën më 22 qershor 2009, Kancelarja i Seksionit të Dytë i dërgoi një letër të tjetër Qeverisë greke ku thuhej:
“Do jem mirënjohëse nëse qeveria juaj do të informojë Gjykatën rreth gjendjes aktuale të kërkuesit, sidomos në lidhje me mundësitë e tij për të bërë një kërkesë efektive për azil. Më tej, Gjykata duhet të informohen në lidhje me masat që Qeveria juaj ka ndërmend të marrë në lidhje me:
a) dëbimin e kërkuesit;
b) mjetet e vëna në dispozicion të kërkuesit për jetesë.”
39. Autoriteteve greke iu la afat deri më 29 qershor 2009 për të dhënë këtë informacion, duke bërë me dije se: "Nëse ju nuk i përgjigjeni letrës tonë brenda afatit, Gjykata do të mendojë seriozisht për zbatimin e nenit 39 të Rregullores së Gjykatës kundër Greqisë."
40. Më 2 korrik 2009, duke pasur parasysh pasigurinë në rritje në Afganistan, besueshmërinë e tregimit të kërkuesit në lidhje me rreziqet që kishte ballafaquar dhe do të përballte në qoftë se dërgohej përsëri në atë vend dhe mungesës së ndonjë reagimi nga ana e autoriteteve greke, Gjykata vendosi të zbatojë nenin 39 të Rregullores së Gjykatës dhe i kërkoi Qeverisë greke, në interes të palëve dhe zhvillimit sa më lehtë të procedurës, të mos e dëbojë kërkuesin deri në përfundimin e procedurës para Gjykatës.
41. Më 23 korrik 2009 Qeveria greke informoi Gjykatën, në përgjigje të letrës së saj të datës 22 qershor 2009, që pasi arriti në aeroportin e Athinës më 15 qershor 2009, kërkuesi kishte aplikuar për azil dhe procedura e azilit kishte filluar. Qeveria shtonte se kërkuesi nuk ishte paraqitur në qendrën e policisë së Atikës brenda afatit kohor dy ditor për të plotësuar aplikimin për azil dhe për t’u dhënë atyre adresën e tij të banimit.
42. Ndërkohë avokati i kërkuesit mbante të informuar Gjykatën lidhur me komunikimet e tij me kërkuesin. Ai konfirmoi se ai kishte aplikuar për azil në aeroport dhe i kishin kërkuar që të shkonte në qendrën e policisë së Atikës për t’i dhënë adresën e tij për të mbajtur korrespondencë lidhur me procedurën e azilit. Megjithatë ai nuk kishte shkuar, pasi ai nuk kishte asnjë adresë për t’u dhënë atyre.
E. Ngjarjet pasardhëse
43. Më 1 gusht 2009, duke u përpjekur për të lënë Greqinë, kërkuesi u arrestua në aeroport në posedim të një karte të rreme identiteti bullgare.
44. Ai u ndalua për shtatë ditë në të njëjtën ndërtesë afër aeroportit, ku ishte ndaluar edhe herën e parë. Në një mesazh drejtuar avokatit të tij ai i përshkroi kushtet e tij të ndalimit, duke deklaruar se ishte rrahur nga oficerët e policisë të qendrës, dhe se donte të largohej nga Greqia me çdo kusht mjafton të mos jetonte në kushte të tilla të vështira.
45. Më 3 gusht 2009 ai u dënua nga Gjykata Penale e Athinës me dy muaj burgim, me kusht për tre vjet, për përpjekje për t’u larguar nga vendi me dokumente false.
46. Më 4 gusht 2009, Ministria e Rendit Publik (tani Ministria e Mbrojtjes Civile) miratoi një urdhër ku parashikohej se, në zbatim të nenit 76 të ligjit nr. 3386/2005 mbi hyrjen, rezidencën dhe integrimin social të shtetasve të vendeve të treta në Greqi, kërkuesi ishte subjekt i një procedure administrative dëbimi. Më tej përcaktohej se kërkuesi, mund të lirohej pasi ai nuk ishte i dyshuar se kishte qëllim të arratisej dhe nuk përbënte kërcënim për rendin publik.
47. Më 18 dhjetor 2009 kërkuesi shkoi në qendrën e policisë së Atikës, ku rinovoi kartën e tij rozë për gjashtë muaj. Në të njëjtën ditë policia mbajti shënim me shkrim se, kërkuesi i kishte informuar ata se nuk kishte ku të jetonte, dhe kërkoi nga Ministria e Shëndetësisë dhe Solidaritetit Social për ta ndihmuar të gjente një shtëpi.
48. Më 20 janar 2010 vendimi për dëbimin e kërkuesit ishte revokuar automatikisht nga autoritetet greke pasi kërkuesi kishte bërë një kërkesë për azil para arrestimit të tij.
49. Në një letër të datës 26 janar 2010 Ministria e Shëndetësisë dhe Solidaritetit Social informoi Këshillin Shtetëror Ligjor që, për shkak të kërkesave të shumta, kërkimi për strehim për kërkuesin ishin vonuar, por diçka ishte gjetur; në mungesë të një adrese ku ai mund të kontaktohej, nuk kishte qenë e mundur informimi i tij.
50. Më 18 qershor 2010 kërkuesi u paraqit në qendrën e policisë Atikës, ku rinovoi kartën e tij rozë për gjashtë muaj.
51. Më 21 qershor 2010 kërkuesi mori një njoftim në greqisht, të cilin ai e nënshkroi në prani të një përkthyesi, dhe me të cilin ai thirrej për një intervistë në qendrën e policisë së Atikës më 2 korrik 2010. Kërkuesi nuk morri pjesë në intervistë.
52. I kontaktuar nga avokatit të tij, pas seancës dëgjimore para Gjykatës, kërkuesi e informoi atë se njoftimi i ishte dorëzuar atij në greqisht, kur karta e tij rozë ishte rinovuar dhe se përkthyesi nuk kishte përmendur ndonjë datë për intervistë.
53. Në një mesazh drejtuar avokatit të tij të datës 1 shtator 2010, kërkuesi e informonte atë se kishte tentuar edhe një herë për t’u larguar nga Greqia për në drejtim të Italisë, pasi kishte dëgjuar se kushtet e pritjes ishin më të mira dhe nuk do t’i duhej të jetonte në rrugë. Ai u ndalua nga policia në Patras dhe u dërguan në Selanik, pastaj në kufirin turk për dëbimin atje. Në momentin e fundit, policia greke vendosi të mos dëbojë, sipas kërkuesit, për shkak të pranisë së policisë turke.
II. E DREJTA NDËRKOMBËTARE DHE EVROPIANE PËRKATËSE
A. Konventa e Gjenevës e vitit 1951 për Statusin e Refugjatëve
54. Belgjika dhe Greqia e kanë ratifikuar Konventën e Gjenevës të 1951 në lidhje me Statusin e Refugjatëve ("Konventa e Gjenevës"), e cila përcakton rrethanat në të cilat një Shtet duhet t’u akordojë statusin e refugjatit atyre që kërkojnë atë, si dhe të drejtat dhe detyrime.
55. Në rastin në fjalë, neni kryesor është neni 33 § 1 i Konventës së Gjenevës, i cili lexon si më poshtë:
“1. Asnjë shtet kontraktues nuk do të dëbojë apo kthejë ("refouler") refugjatin në asnjë mënyrë në kufijtë e territoreve ku jeta apo liria e tij janë të kërcënuara për shkak të racës, fesë, përkatësisë kombëtare, anëtarësisë në një grup të caktuar social apo pikëpamjes politike.”
56. Në shënimin e tij të datës 13 shtator 2001 mbi mbrojtjen ndërkombëtare (A/AC.96/951, § 16), UNHCR-ja, detyra e të cilit është të mbikëqyrë se si Shtetet Palë zbatojnë Konventën e Gjenevës, deklaroi se parimi i “moskthimit” ishte:
“një parim kardinal i mbrojtjes së sanksionuar në Konventë, në lidhje me të cilin nuk lejohen rezerva. Në shumë mënyra, parimi është plotësues logjik i së drejtës për të kërkuar azil, e njohur në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Ajo ka arritur të konsiderohet si një rregull zakonor i detyrueshëm i së drejtës ndërkombëtare për të gjitha Shtetet. Përveç kësaj, të drejtat ndërkombëtare të njeriut e kanë përcaktuar parimin e moskthimit si një komponent themelor të ndalimit absolut të torturës dhe trajtimeve dhe ndëshkimeve mizore, çnjerëzor dhe poshtëruese. Detyrimi për të mos kthyer zbatohet edhe për refugjatët pavarësisht njohjes formale të tyre, duke përfshirë padyshim azil-kërkuesit statusi i të cilëve nuk është përcaktuar ende. Kjo përfshin çdo masë që i takon të marrë një Shteti që mund të ketë efektin e kthimit të azilkërkuesit apo refugjatit në kufijtë e territoreve ku jeta apo liria e tij ose e saj, do të kërcënoheshin, ose kur ai ose ajo do të rrezikonte t’i nënshtrohej persekutimit. Kjo përfshin refuzimin në kufi, ndalimin dhe kthimin indirekt, qoftë në rastin e një azilkërkuesve individualë qoftë në situatat e dyndje masive.”
B. E drejta komunitare
1. Traktati për Bashkimin Evropian (ndryshuar nga Traktati i Lisbonës, i cili hyri në fuqi më 1 dhjetor 2009)
57. Të drejtat themelore të garantuara nga Konventa, janë pjesë e së drejtës së Bashkimit Evropian dhe njihen në këto dispozita:
Neni 2
“Bashkimi ka në themel vlerat e respektimit të dinjitetit të njeriut, lirisë, demokracisë, barazisë, shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e personave që u përkasin pakicave...”
Neni 6
“1. Bashkimi njeh të drejtat, liritë dhe parimet e parashikuara në Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian, datë 7 dhjetor 2000, siç u përshtat në Strasburg , më 12 dhjetor 2007, e cila ka të njëjtën fuqi ligjore me Traktatet.
...
3. Të drejtat themelore, siç garantohen nga Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe siç rrjedhin nga traditat kushtetuese që janë të përbashkëta për Shtetet Anëtare, përbëjnë parimet e përgjithshme të së drejtës së Bashkimit.”
2. Traktati për Funksionimin e Bashkimit Evropian (ndryshuar nga Traktati i Lisbonës, i cili hyri në fuqi më 1 dhjetor 2009)
58. Çështjet me rëndësi të veçantë për rastin konkret janë të mbuluara nga Titulli V - Zona e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë - i Pjesës së Tretë të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian për Politikat dhe Veprimet e brendshme të Bashkimit Evropian. Në kreun 1 të këtij Titulli, neni 67 përcakton:
“1. Bashkimi përbën një zonë lirie, sigurie dhe drejtësie, lidhur me respektimin e të drejtave themelore, sistemeve dhe traditave të ndryshme juridike të Shteteve Anëtare.
2. Ai ... përcakton një politikë të përbashkët për azilin, imigracionin dhe kontrollin e kufijve të jashtëm, mbështetur në solidaritetin midis Shteteve Anëtare, që të jetë e drejtë kundrejt shtetasve të vendeve të treta. ...”
59. Kreu i dytë i përket Titullit V "Politikat për kontrollet kufitare, azilin dhe imigrimin". Neni 78 § 1 përcakton:
“Bashkimi harton një politikë të përbashkët për azilin, mbrojtjen plotësuese dhe mbrojtjen e përkohshme, me qëllim ofrimin e statusit të duhur çdo shtetasi të një vendi të tretë që kërkon mbrojtje ndërkombëtare dhe sigurimin e respektimit të parimit të moskthimit në vendin ku rrezikohet liria ose jeta e azilkërkuesit. Kjo politikë duhet të pajtohet me Konventën e Gjenevës, ... dhe me traktatet e tjera përkatëse.”
60. Neni 78 § 2 parashikon, inter alia, për organet legjislative të Bashkimit të miratojnë masa për një status të njëjtë të azilit dhe mbrojtjes plotësuese, si dhe kriteret dhe mekanizmat për përcaktimin se cili Shtet Anëtar është përgjegjës për shqyrtimin e një kërkese për azil.
3. Karta e Të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian
61. Karta e të Drejtave Themelore të Njeriut, e cila është pjesë e së drejtës parësore të Bashkimit Evropian që prej hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës, përmban një dispozitë e cila garanton shprehimisht të drejtën e azilit, si më poshtë:
Neni 18 – E drejta për të kërkuar strehim
“E drejta për strehim garantohet në përputhje me rregullat e Konventës së Gjenevës të 28 korrikut 1951 dhe Protokollit të 31 janarit 1967 për statusin e refugjatëve dhe në përputhje me Traktatin Themelues të Komunitetit Evropian.”
4. Sistemi “Dublin” i azilit
62. Që prej Këshillit Evropian të Tamperes në vitin 1999, Bashkimi Evropian ka organizuar zbatimin e një sistemi të përbashkët Evropian të azilit.
63. Faza e parë (1999-2004) kishte të bënte me miratimin e instrumenteve ligjore të cilët përcaktonin standardet minimale të përbashkëta në fushat e pritjes të azilkërkuesve, procedurat e azilit dhe kushtet që duhet të plotësohen në mënyrë që të pranohet se u nevojitet mbrojtja ndërkombëtare, si dhe rregullat për përcaktimin e Shtetit Anëtar përgjegjës për shqyrtimin e kërkesës për azil ("sistemi Dublin").
64. Faza e dytë është aktualisht në proces. Qëllimi është që të harmonizohen më tej dhe të përmirësohen standardet e mbrojtjes për krijimin e një sistemi të përbashkët evropian për azilin deri në vitin 2012. Komisioni shpalli propozime caktuara në planin e politikës së tij për azilin më 17 qershor 2008 (COM (2008) 360).
(a) Rregullorja Dublin dhe Rregullorja Eurodac
65. Rregullorja nr. 343/2003 e Këshillit e datës 18 shkurt 2003 e cila përcakton kriteret dhe mekanizmat për përcaktimin e Shtetit Anëtar përgjegjës për shqyrtimin e një kërkese për azil të paraqitur në njërin prej Shteteve Anëtare nga një shtetas i vendeve të treta ("Rregullorja e Dublinit") aplikohet për Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe për Norvegjinë, Islandën dhe Zvicrën.
66. Rregullorja zëvendëson dispozitat e Konventës së Dublinit për përcaktimin e Shtetit përgjegjës për shqyrtimin e kërkesave për azil paraqitur në njërin prej Shteteve Anëtare të Komunitetit Evropian, të nënshkruar më 15 qershor 1990.
67. Një rregullore shtesë, Rregullorja nr. 1560/2003 e datës 2 shtator 2003, përcakton rregullat për zbatimin e Rregullores së Dublinit.
68. Considerandum-i i parë i Rregullores së Dublinit deklaron se është pjesë e një politike të përbashkët për azilin që synon krijimin në mënyrë progresive të një hapësire të lirisë, sigurisë dhe drejtësisë, të hapur për ata që, të detyruar nga rrethanat, kërkojë në mënyrë legjitime mbrojtje në Komunitet.
69. Considerandum-i i dytë pohon se, Rregullorja është bazuar në supozimin se Shtetet anëtare respektojnë parimin e moskthimit të sanksionuar në Konventën e Gjenevës dhe që ato konsiderohen si vende të sigurta.
70. Sipas Rregullores, Shtetet Anëtare duhet të përcaktojnë, në bazë të një hierarkie të kritereve objektive (nenet 5-14), se cili Shtet anëtar është përgjegjës për shqyrtimin e një kërkese për azil parashtruar në territorin e tyre. Qëllimi është për të shmangur aplikime e shumëfishta dhe për të garantuar që çdo kërkesë për azil të trajtohet nga vetëm një Shtet Anëtar.
71. Kur një azilkërkues nëpërmjet kalimit të parregullt ka hyrë në një Shtet Anëtar nëpërmjet një vendi të tretë, Shteti Anëtar hyrës është përgjegjës për shqyrtimin e kërkesës për azil (neni 10 § 1). Kjo përgjegjësi pushon dymbëdhjetë muaj pas datës në të cilën kalimi i parregullt i kufirit ka ndodhur.
72. Kur kriteret në Rregullore tregojnë se një tjetër Shtet Anëtar është përgjegjës, atëherë atij Shteti i kërkohet që të marrë përgjegjësinë e azilkërkuesit dhe të shqyrtojë kërkesën për azil. Shteti të cilit i kërkohet të marrë përgjegjësinë duhet të përgjigjet brenda dy muajve nga data e marrjes së kësaj kërkese. Mos kthimi i përgjigjes brenda dy muajve nënkupton miratim për marrjen e përgjegjësisë nga ana e atij Shteti (nenet 17 dhe 18 §§ 1 dhe 7).
73. Kur Shteti Anëtar të cilit i drejtohet kërkesa pranon të marrë përgjegjësi për një azilkërkues, Shteti Anëtar në të cilin kërkesa për azil është parashtruar duhet të njoftojë kërkuesin për vendimin e transferimit të tij ose të saj, duke deklaruar edhe arsyet për një transferim të tillë. Transferimi duhet të kryhet jo më vonë se gjashtë muaj nga pranimi i kërkesës për të marrë përgjegjësinë. Kur transferimi nuk ndodh brenda këtij afati përgjegjësia për shqyrtimin e kërkesës qëndron tek Shtetit Anëtar në të cilin është depozituar kërkesa për azil (neni 19).
74. Në përjashtim të rregullit të përgjithshëm, çdo Shtet Anëtar mund të shqyrtojë një kërkesë për azil të depozituar nga një shtetas i një vendi të tretë, edhe në qoftë se nuk është përgjegjësia e tij sipas kritereve të përcaktuara në Rregullore (neni 3 § 2). Kjo quhet klauzola e "sovranitetit". Në raste të tilla Shteti që zbaton këtë klauzolë bëhet Shteti Anëtar përgjegjës dhe merr përsipër detyrimet që lidhen me këtë përgjegjësi.
75. Për më tepër, çdo Shtet Anëtar, edhe kur ai nuk është përgjegjës sipas kritereve të përcaktuara në Rregullore, mund të bëjë të mundur bashkimin e anëtarëve të familjes, si dhe të afërmve të tjerë në varësi, për arsye humanitare bazuar veçanërisht në ato familjare apo kulturore (neni 15 § 1 ). Kjo njihet si klauzolë "humanitare". Në këtë rast ky Shtet Anëtar, me kërkesë të një Shteti tjetër Anëtar, shqyrton kërkesën për azil të personit në fjalë. Personat e interesuar duhet të bien dakord.
76. Një tjetër Rregullore e Këshillit, nr. 2725/2000 e 11 dhjetorit 2000, krijon sistemin Eurodac për krahasimin e gishtërinjve ("Rregullorja Eurodac"). Ajo kërkon që Shtetet të regjistrojnë shenjat e gishtave të azilkërkuesve. Të dhënat transmetohen në njësinë qendrore Eurodac, të drejtuar nga Komisioni Evropian, i cili i në bazën qendrore të të dhënave dhe i krahason ato me të dhënat tashmë të depozituara atje.
77. Më 6 qershor 2007 Komisioni Evropian i paraqiti një raport Parlamentit Evropian dhe Këshillit, mbi vlerësimin e sistemit të Dublinit (COM (2007) 299 final). Më 3 dhjetor 2008 ai bëri publik propozimin e tij për një rimodelim të Rregullores së Dublinit (COM (2008) 820 final/2). Qëllimi i reformës ishte për të përmirësuar efikasitetin e sistemit dhe për të siguruar që të gjitha nevojat e personave që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare të mbulohen nga procedura për përcaktimin e përgjegjësisë.
78. Propozimi synon të vendosë një mekanizëm për pezullimin e transferimeve sipas sistemit të Dublinit, në mënyrë që, nga njëra anë, Shtetet Anëtare, sistemet e azilit të të cilave janë tashmë nën presione veçanërisht të rënda, të mos ngarkohen edhe më shumë nga transferime të tilla dhe nga ana tjetër, azilkërkuesit të mos transferohen në Shtetet Anëtare të cilat nuk mund t’u ofrojnë atyre një nivel të mjaftueshëm të mbrojtjes, veçanërisht për sa i përket kushteve të pritjes dhe aksesit në procedurën e azilit (neni 31 i propozimit). Shteti në fjalë duhet të aplikojë në Komisionin Evropian për një vendim. Transferimet mund të pezullohen deri në gjashtë muaj. Komisioni mund të zgjasë pezullimin për gjashtë muaj të tjerë me iniciativën e vet ose me kërkesë të Shtetit në fjalë.
79. Propozimi, i shqyrtuar sipas procedurës së bashkë-vendimmarrjes, u miratua nga Parlamenti Evropian në leximin e parë më 7 maj 2009 dhe iu paraqit Komisionit dhe Këshillit.
80. Në takimin e Këshillit Joformal të Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme në Bruksel më 15 dhe 16 korrik 2010, Presidenca belge e Këshillit të Bashkimit Evropian vendosi në axhendë shkëmbimin e pikëpamjeve mbi mjetet e arritjes së një procedure të vetme për azil dhe një standard uniform të mbrojtjes ndërkombëtare deri në vitin 2012. Diskutimi u përqendrua në veçanti se cilat ishin prioritet që Këshilli duhet t’i japë negociatave për rimodelimin e Rregullores së Dublinit dhe nëse ministrat do të mbështesnin përfshirjen e klauzolës së pezullimit të përkohshëm.
81. Gjykata e Drejtësisë e Komuniteteve Evropiane (GJDKE), e cila u bë Gjykata Evropian Drejtësisë (GJED) pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës, ka dhënë një vendim në lidhje me Rregulloren e Dublinit. Në çështjen Petrosian (C-19/08, vendimi i datës 29 janar 2009) ajo u pyet për të sqaruar interpretimin e nenit 20 §§ 1 dhe 2 në lidhje me marrjen e përgjegjësisë për një kërkesë për azil dhe llogaritjen e afatit për të bërë transferimin, kur legjislacioni i Shtetit Anëtar kërkues parashikon ankesat që kanë efekt pezullues. GJED vendoi se, llogaritja e kohës fillon nga koha e marrjes së vendimit mbi themelin e kërkesës.
82. GJED ka marrë kohët e fundit një kërkesë nga Gjykata e Apelit (Mbretëria e Bashkuar) për një vendim paragjykimor mbi interpretimin e klauzolës së sovranitetit në Rregulloren Dublinit (çështja e N.S, C-411/10).
(b) Direktivat e Bashkimit Evropian mbi çështjet e azilit
83. Tre tekste të tjera evropiane plotësojnë Rregulloren e Dublinit.
84. Direktiva 2003/9 e datës 27 janar 2003, përcakton standardet minimale për pritjen e azilkërkuesve në Shtetet Anëtare ("Direktiva e pritjes"), ka hyrë në fuqi në ditën e botimit në Fletoren Zyrtare (FZ L 31 e 6.2.2003). Ajo u kërkon që Shteteve që t’u garantojnë azilkërkuesve:
- kushte të caktuara materiale për pritje, përfshirë strehim; veshje
dhe ushqim në natyrë ose në formën e ndihmës financiare;
ndihma financiare të mjaftueshme për të mbuluar
nevojat jetësore të azilkërkuesit.
-marrjen e masave për të mbrojtur unitetin familjar;
-kujdes mjekësor dhe psikologjik;
-qasje për të miturit në arsim, dhe në klasa për mësimin e gjuhës kur
është e nevojshme për ta që t’i nënshtrohen shkollimin.
Në vitin 2007, Komisioni Evropian i kërkoi GJDKE-së (tani GJED) të shqyrtojë nëse Greqia po i përmbushte detyrimet e saj në lidhje me pritjen e refugjatëve. Në vendimin e 19 prillit 2007 (çështja C-72/06), GJDKE gjeti se Greqia kishte dështuar në përmbushjen e detyrimeve të veta sipas Direktivës së Pritjes. Në vijim, autoritetet greke transpozuan Direktivën e Pritjes.
Më 3 nëntor 2009 Komisioni Evropian i dërgoi një letër Greqisë ku e njoftonte se po niste procedime të reja kundër saj.
85. Direktiva 2005/85 e 1 dhjetorit 2005 për standardet minimale mbi procedurat në Shtetet Anëtare për dhënien dhe heqjen e statusit të refugjatit në Shtetet Anëtare ( "Direktiva për Procedurat"), e cila hyri në fuqi në ditën e botimit në Fletoren Zyrtare (FZ L 326/13 e 13.12.2005), garanton këto të drejta:
-një kërkesë për azil nuk mund të hidhet poshtë vetëm nëse nuk është
bërë sa më shpejt të ishte e mundur. Përveç kësaj, aplikimet duhet të
shqyrtohen individualisht, objektivisht dhe paanshmërisht;
-kërkuesit për azil kanë të drejtë për të qëndruar në Shtetin Anëtar në pritje të shqyrtimit të kërkesave të tyre;
-Shtetet Anëtare duhet të sigurojnë që vendimet në lidhje me
kërkesat për azil të jepen në formë të shkruar dhe kur kërkesa është
refuzuar, arsyet e refuzimit dhe informacioni se si të ankohen kundër
vendimit të refuzimit të jepen me shkrim;
-azilkërkuesit duhet të informohen për procedurën që do të ndiqet, të
drejtat dhe detyrimet e tyre, dhe për vendimin e marrë nga autoriteti
vendimmarrëse;
-azilkërkuesit duhet t’i ofrohet shërbimi i një përkthyesi për
paraqitjen e rastit të tyre tek autoritetet kompetente kurdo që është e
nevojshme;
-azilkërkuesit nuk duhet t’i mohohet mundësia për të komunikuar me
UNHCR-në. Më në përgjithësi, Shtetet Anëtare duhet të lejojnë
UNHCR-në të ketë qasje tek azilkërkuesit, duke përfshirë ata të
ndaluar, si dhe qasje në informacion mbi kërkesat për azil dhe
procedurat, si dhe për t’i paraqitur pikëpamjet e veta çdo autoriteti
kompetent;
-azilkërkuesit duhet të ketë mundësi, me shpenzimet e tyre, për t’u
konsultuar me një përfaqësues ligjor në një mënyrë efektive. Në
rast të një vendimi negativ nga autoriteti vendimmarrës, Shtetet
Anëtare duhet të sigurojnë që të jepet ndihma juridike falas kur
kërkohet. Kjo e drejtë mund të jetë subjekt i kufizimeve (zgjedhja e
përfaqësuesit kufizohet në listën e atyre të caktuar posaçërisht nga
ligji kombëtar, apeli lejohet në ato raste kur ka gjasa të jetë i
suksesshëm, dhe ndihma ligjore falas kufizohet për kërkuesit që nuk
kanë burime të mjaftueshme financiare).
Komisioni Evropian nisi procedimet kundër Greqisë në shkurt 2006 për dështim në përmbushjen e detyrimeve nga ana e kësaj të fundit, si rezultat i mangësive procedurale në sistemin grek të azilit, dhe e dërgoi çështjen në GJDKE, (tani GJED). Pas transpozimit të Direktivës së Procedurave në ligjin grek në korrik 2008, ankimi u çregjistrua nga lista e çështjeve.
Më 24 qershor 2010 Komisioni Evropian nisi procedimet kundër Belgjikës në GJED, pasi autoritetet belge nuk kishin transpozuar plotësisht Direktivën e Procedurave - në veçanti, detyrimet minimale në lidhje me mbajtjen e intervistave personale.
Në propozimin e tij për të ndryshuar Direktivën e Procedurave, të paraqitur më 21 tetor 2009 (COM (2009) 554 final), Komisioni parashikonte forcimin e detyrimit për të informuar azilkërkuesin. Ky propozim gjithashtu parashikonte që, për një rishikim të plotë në vazhdim, të vendimeve të shkallës së parë nga një gjykatë specifike, nocioni i mjetit efektiv kërkonte një rishikim të fakteve dhe çështjeve të ligjit. Ai më tej prezantoi dispozitat për t’i dhënë efekt të menjëhershme pezullues ankimeve. Amendamentet e propozuara kishin për qëllim rritjen e qëndrueshmërisë së jurisprudencës në evoluim e sipër lidhur me parime të tilla si e drejta e mbrojtjes, barazia e mjeteve, si dhe e drejta për mbrojtje gjyqësore efektive.
86. Direktiva 2004/83 e 29 prillit 2004 lidhur me standardet minimale për kualifikimin dhe statusin e shtetasve të vendeve të treta ose personave pa shtetësi si refugjatë ose si persona që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare dhe përmbajtja e mbrojtjes së dhënë ("Direktiva e Kualifikimit"). Ajo hyri në fuqi 20 ditë pas u botua në Fletoren Zyrtare (FZ L 304 e 30.09.2004).
Kjo Direktivë përmban një sërë kriteresh për dhënien e statusit të refugjatit ose të mbrojtjes plotësuese dhe përcakton të drejtat e lidhura me çdo status. Ajo paraqet një sistem të harmonizuar të mbrojtjes së përkohshme për personat që nuk mbulohen nga Konventa e Gjenevës, por që megjithatë kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, të tilla si viktima të dhunës në masë apo luftës civile.
GJDKE (tani GJED) ka dhënë dy vendime në lidhje me Direktivën e Kualifikimit: (C-465/07) vendimi Elgafaji (C-465/07) 17 shkurt 2009 dhe Abdulla Salahadin dhe të Tjerët, vendim i 2 marsit 2010 (çështjet e bashkuara C-175, 176, 178 dhe 179/08).
C. Tekstet përkatëse të Komisionerit i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut
87. Përveç raporteve të publikuara pas vizitave të tij në Greqi (shih paragrafin 160 më poshtë), Komisioneri nxori një rekomandim "në lidhje me të drejtat e të huajve që dëshirojnë të hyjnë në një Shtet Anëtare të Këshilli të Evropës dhe zbatimin e urdhrave të dëbimit", datë 19 shtator 2001, e cila parashikon, inter alia si më poshtë:
“1. Kushdo ka të drejtë, që kur mbërrin në kufijtë e një Shteti Anëtar, të trajtohet me respekt ndaj dinjitetit të tij apo të saj njerëzor dhe jo të konsiderohet automatikisht një kriminel apo fajtor për mashtrim.
2. Me të mbërritur, të gjithë atyre e drejta e hyrjes së të cilëve është e diskutueshme duhet t’u jepet një seancë dëgjimore, ku është e nevojshme prania e një përkthyesi tarifat e të cilit duhet të mbulohen nga vendi i mbërritjes, në mënyrë që të jetë në gjendje, kur është e përshtatshme, për të paraqitur një kërkesë për azil. Kjo duhet të përfshijë të drejtën për të hapur një dosje, pasi të informohet saktësisht, në një gjuhë të cilën ai ose ajo e kupton, në lidhje me procedurën që duhet ndjekur. Kështu praktika e kthimit "në portën e mbërritjes" është e papranueshme.
3. Si rregull nuk duhet të ketë kufizime në lirinë e lëvizjes. Kurdo që të jetë e mundur, ndalimi duhet të zëvendësohet me masa tjera mbikëqyrëse, të tilla si garancia, lirimi me kushti apo masa të tjera të ngjashme. Nëse ndalimi mbetet mënyra e vetme për të garantuar praninë fizike të një të huaji, ajo nuk duhet të ndodhë, në mënyrë sistematike, në një stacion policie ose në një burg, përveç nëse nuk ka alternativë praktike, dhe në një rast të tillë duhet të zgjasë jo më shumë se sa është e domosdoshme për organizimin e transferimit në një qendër të specializuar.
...
9. Në asnjë mënyrë qendrat e ndalimin nuk duhet të shikohen si burgje.
...
11. Është thelbësore që e drejta e mjetit efektiv ligjor brenda kuptimit të nenit 13 të KEDNJ-së nuk duhet të garantohet vetëm në ligj, por gjithashtu edhe në praktikë kur një person pretendon se autoritetet kompetente kanë shkelur ose ka të ngjarë të shkelin të drejtën e garantuar nga KEDNJ. E drejta e mjetit efektiv duhet të garantohet për këdo që dëshiron të kundërshtojë një urdhër kthimi ose dëbimi. Pezullimi i zbatimit të një urdhri dëbimi duhet të jetë i mundur, të paktën aty ku kemi pretendim për shkelje të neneve 2 dhe 3 të KEDNJ.”
III. E DREJTA DHE PRAKTIKA PËRKATËSE GREKE
A. Kushtet e pritjes së azilkërkuesve
1. Strehimi
88. Kushtet e pritjes së azilkërkuesve në Greqi janë të rregulluara kryesisht nga Dekreti Presidencial ("DP") nr. 220/2007 për transpozimin e Direktivës së Pritjes. Dispozitat e këtij teksti të zbatueshme në rastin konkret mund të përmblidhen si më poshtë.
89. Autoriteti përgjegjës për pranimin dhe shqyrtimin e kërkesave për azil lëshon një kartë azilkërkuesi pa pagesë, menjëherë pasi bëhen të njohura rezultatet e gishtave dhe në çdo rast jo më vonë se tre ditë nga paraqitja e kërkesës për azil. Kjo kartë, e quajtur "karta rozë", lejon kërkuesin të qëndrojë në Greqi gjatë periudhës që kërkesa e tij është duke u shqyrtuar. Karta është e vlefshme për gjashtë muaj dhe e rinovueshme derisa të shpallet vendimi përfundimtar (neni 5 § 1).
90. Sipas nenit 12 §§ 1 dhe 3, autoritetet kompetente duhet të marrin masa adekuate për të siguruar që azilkërkuesve t’u ofrohen kushtet materiale të pritjes. Ato duhet të garantojnë një standard të jetesës në pajtim me gjendjen e tyre shëndetësore dhe të mjaftueshme për jetesën e tyre në mbrojtje të të drejtave e tyre themelore. Marrja e këtyre masave mund të kufizohet për personat me pamundësi ekonomike.
91. Një azilkërkues pa shtëpi dhe pa mjete financiare për të paguar për strehim, do të strehohet në një qendër pritjeje ose në një vend tjetër në bazë të kërkesës drejtuar autoriteteve kompetente (neni 6 § 2). Sipas informacionit të dhënë nga Ministria greke e Shëndetësisë dhe Solidaritetit Social, në vitin 2009 ka pasur katërmbëdhjetë qendra pritjeje për azilkërkuesit në pjesë të ndryshme të vendit, me një kapacitet total prej 935 vendesh. Gjashtë prej tyre janë të rezervuara për të miturit e pashoqëruar.
92. Azilkërkuesit të cilët dëshirojnë të punojnë pajisen me leje pune të përkohshme, në përputhje me kushtet e përcaktuara në DP nr. 189/1998 (neni 10 § 1 i DP nr. 220/2007). Neni 4 c) i DP 189/1998 u kërkon autoriteteve kompetent që, përpara se të lëshojnë lejen, duhet të jenë të sigurt që puna në fjalë nuk i intereson "një shtetasi grek, një qytetari të Bashkimit Evropian, një personi me statusin e refugjatit, një personi me origjinë greke, dhe kështu me radhë ".
93. Azilkërkuesit kanë akses në programet e formimit profesional nën të njëjtat kushte si shtetasit greke (neni 11).
94. Nëse ata nuk kanë mundësi financiare dhe nuk janë të siguruar në asnjë mënyrë, azilkërkuesit kanë të drejtë për kujdes mjekësor falas dhe trajtim në spital. Ndihma e parë është gjithashtu falas (neni 14 i DP nr. 220/2007).
2. Ndalimi
95. Kur dëbimi administrativ i një të huaj lejohet në bazë të nenit 76 (1) të ligjit nr. 3386/2005 (shih paragrafin 119, më poshtë) dhe nëse dyshohet se i huaji ka për qëllim që të arratiset, konsiderohet të jetë një kërcënim për rendin publik ose pengon përgatitjen e largimit të tij ose të saj ose procedurave të dëbimit, ndalimi i përkohshëm është i mundur deri në dhënien, brenda tre ditëve, të vendimit të largimit (seksioni 76 (2)). Deri në hyrjen në fuqi të ligji 3772/2009, ndalimi administrativ ishte për tre muaj. Tani ai është për gjashtë muaj dhe, në rrethana të caktuara, mund të zgjatet deri në dymbëdhjetë muaj.
96. Ankesa drejtuar Gjykatës Supreme Administrative kundër një urdhri dëbimi nuk pezullon ndalimin. (neni 77 i ligjit nr. 3386/2005).
97. Kur zbatohen dispozitat e nenit 76 (1), pas mbërritjes në aeroportin ndërkombëtar të Athinës, personat e interesuar vendosen në qendrën e ndalimit në afërsi të aeroportit. Nëse nuk mbahen aty, ata dërgohen në qendrat e ndalimit për azilkërkuesit ose në stacionet policore.
98. Sipas nenit 13 § 1 të DP nr. 90/2008, paraqitja e një kërkese për azil nuk përbën vepër penale dhe rrjedhimisht nuk mund të justifikohet ndalimi i kërkuesit, edhe në qoftë se ai ose ajo kanë hyrë në vend ilegalisht.
B. Procedurat e azilit
1. Dispozitat e zbatueshme
99. Dispozitat që zbatohen për aplikimin e azilkërkuesit janë të parashikuara në Dekretet presidenciale në vijim: DP nr. 61/1999 mbi dhënien e statusit të refugjatit tërheqjen e tij dhe dëbimin e një të huaji, lejes së qëndrimit për pjesëtarët e familjes dhe mjetet e bashkëpunimit me UNHCR-në dhe DP nr. 90/2008 për transpozimin e Direktivës së Procedurave 2005/85, ndryshuar nga DP nr. 81/2009.
(a) Aksesi në procedura
100. Të gjithë shtetasit e vendeve të treta ose personat pa shtetësi kanë të drejtë të aplikojnë për azil. Autoritetet përgjegjëse për pranimin dhe shqyrtimin e kërkesave, sigurojnë që të gjithë të rriturit të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre për të paraqitur një kërkesë me kusht që ata të paraqiten para autoriteteve personalisht (neni 4 § 1 i DP nr. 90/2008).
101. Autoritetet menjëherë informojnë azilkërkuesit për të drejtat dhe detyrimet e tyre duke u dhënë atyre një broshurë, në një gjuhë që ata e kuptojnë, ku përshkruhet procedura për shqyrtimin e kërkesave për azil dhe të drejtat e dhe detyrimet azilkërkuesve. Nëse azilkërkuesi nuk e kupton gjuhën e përdorur në broshurë, ose është analfabet, ai informohet me gojë, me ndihmën e një përkthyesi (neni 1 § 6 i DP-së 61/1999 dhe neni 8 § 1 a) të DP-së nr. 90/2008).
102. Një broshurë informative është hartuar në bashkëpunim me UNHCR-së dhe ekziston në gjashtë gjuhë (arabisht, anglisht, frëngjisht, greqisht, persisht dhe turqisht).
103. Kur azilkërkuesit mbërrijnë në aeroportin ndërkombëtar të Athinës, detyrim për t’ua siguruar këtë informacion u takon shërbimeve të sigurimit të pranishëm në aeroport. Përkthimi bëhet nga përkthyesit e qendrës së policisë të Atikës, organizatat jo-qeveritare apo personeli i aeroportit.
104. Azilkërkuesit duhet të bashkëpunojnë me autoritetet kompetente (neni 9 § 1 i PD nr. 90/2008). Në veçanti, ata duhet të informojnë ata për çdo ndryshim të adresës (neni 6 § 1 i DP nr. 220/2007).
105. Nëse azilkërkuesit nuk e kanë bërë këtë në aeroport, ata duhet më pas të raportojnë, një të shtunë, në Drejtorinë e të Huajve në qendrën e policisë së Atikës, për të paraqitur kërkesën e tyre për azil. Që prej hyrjes në fuqi të DP nr. 81/2009 (neni 1), depozitimi i kërkesave për azil ka qenë i decentralizuar në pesëdhjetë e dy qendra në pjesë të ndryshme të vendit.
106. Azilkërkuesit të cilët kanë aplikuar për azil në aeroport duhet të raportojnë brenda tri ditëve në qendrën e policisë së Atikës për të regjistruar vendbanimin e tyre.
107. Ata më pas ftohen në qendrën policore për një intervistë individuale, gjatë së cilës ata mund të jenë të përfaqësuar. Intervista zhvillohet me ndihmën e një përkthyesi dhe personi në fjalë i kërkohet që të konfirmojë të gjitha informatat që përmban kërkesa dhe të japë detaje të identitetit të tyre, cilën rrugë kanë ndjekur për të mbërritur në Greqi dhe arsyet pse ata u larguan nga vendi i tyre i origjinës (neni 10 § 1 i DP nr. 90/2008).
(b) Shqyrtimi i kërkesës për azil në instancë të parë
108. Deri në vitin 2009, pas intervistës, oficeri i policisë përgjegjes për intervistën e kryer e kalon kërkesën për azil në një nga tre komitetet këshilluese të refugjatëve brenda Ministrisë së Rendit Publik (tani Ministria e Mbrojtjes Civile) për të dhënie mendimi. Këto komisione përbëhen nga oficerë policie dhe përfaqësues të komunës dhe në disa raste është e pranishme dhe UNHCR-ja si një vëzhgues. Komisioni të cilit iu kalua kërkesa, përpilon një mendimin në formën e një raporti të brendshëm dhe ia kalon qendrës së policisë së Atikës e cila jep vendimin e saj.
109. DP nr. 81/2009 parashikon decentralizimin e shqyrtimit të kërkesave për azil në instancë të parë dhe krijimin e komiteteve këshilluese për refugjatët në të gjitha pesëdhjetë e dy qendrat policore në mbarë vendin (neni 3). Procedura e shqyrtimit në vetvete nuk ka ndryshuar, por ajo tani zhvillohet në të gjitha pesëdhjetë e dy qendrat policore në rajone të ndryshme.
110. Vendimet merren në baza individuale, pas shqyrtimit të kujdesshëm, objektiv dhe të paanshëm. Autoritetet mbledhin dhe vlerësojnë informacionin e saktë e të hollësishëm nga burime të besueshme, si nga UNHCR-ja për situatën e përgjithshme në vendin e origjinës (neni 6 § 2 i DP nr. 90/2008). Si në çdo fazë të procedurës, kërkuesit asistohen nga një përkthyes me shpenzimet e shtetit (neni 8 § 1 b) të PD-së 90/2008).
111. Ata kanë të drejtë të konsultohen me një këshilltar ligjor apo tjetër me shpenzimet e tyre (neni 11 § 1 i DP nr. 90/2008).
112. Vendimi i njoftohet kërkuesit ose avokatit apo përfaqësuesit ligjor të tij ose të saj (neni 8 § 1 d) i DP nr. 90/2008). Lidhur me këtë, pika 10 e broshurës lexon si më poshtë:
“...Në kartën rozë duhet të shënohet vendbanimi që ju keni deklaruar apo qendra e pritjes të caktuar për qëndrimin tuaj. Kur merret vendimi, ai do të dërgohet në adresën e deklaruar prej jush, dhe kjo është arsyeja pse është e rëndësishme për të informuar policinë për çdo ndryshim të adresës pa vonesë.”
113. Nëse adresa nuk dihet, vendimi dërgohet në komunën e zyrës së shërbimit, ku është depozituar kërkesa për azil, ku do të publikohet në bordin e njoftimeve të komunës dhe i komunikohet UNHCR-së (neni 7 § 2 i DP nr. 90/2008).
114. Informacioni komunikohet në një gjuhë të cilën, supozohet në mënyrë të arsyeshme se, azilkërkuesi e kupton, nëse ai ose ajo nuk është i përfaqësuar dhe nuk ka ndihmë juridike (neni 8 § 1 d) i DP 90/2008).
(c) Ankimi kundër vendimeve negative
115. Deri në vitin 2009, komitetet këshilluese të refugjatëve shqyrtojn= kërkesat për azil në shkallë të dytë, kur ato ishin refuzuar (neni 25 i DP nr. 90/2008). UNHCR-ja merr pjesë në këto komisione (neni 26 i DP nr. 90/2008). Pas kësaj ishte e mundur për të aplikuar në Gjykatën e Lartë Administrative për të kërkuar shfuqizimin e vendimit. Neni 5 i DP nr. 81/2009 eliminoi rolin komiteteve këshilluese refugjatëve. Që nga viti 2009 ankesat kundër vendimit të shkallës së parë dërgoheshin direkt në Gjykatën e Lartë Administrative. Në korrik 2009 UNHCR-ja vendosi se nuk do të merrte më pjesë në procedurë.
116. Përveç se kur kërkuesit i është dhënë informacioni përkatës me shkrim, vendimi i refuzimit të kërkesës duhet të përmendë mundësinë e paraqitjes së një ankese, afatin kohor brenda së cilës mund të paraqesë ankesën dhe pasojat e kalimit të këtij afati (nenet 7 dhe 8 § 3 § 1 e) i DP 90/2008).
117. Paraqitja e ankimit në Gjykatën Supreme Administrative nuk pezullon ekzekutimin e një urdhri dëbimi lëshuar pas një vendimi që refuzon një kërkesë për azil. Megjithatë, qytetarët e huaj kanë të drejtë të ankohen kundër një urdhër dëbimi brenda pesë ditëve nga marrja e njoftimit të tij. Vendimi më pas jepet brenda tri ditë pune nga dita në të cilën ankesa është parashtruar. Ky lloj ankimi nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit të dëbimit. Kur urdhërohet ndalimi në të njëjtën kohë me dëbimin, ankesa pezullon dëbimin por jo ndalimin (seksioni 77 i ligjit nr. 3386/2005).
118. Azilkërkuesit kanë të drejtë për ndihmë ligjore për ankime në Gjykatën Supreme Administrative, me kusht që ankimi të mos jetë haptazi i papranueshëm apo i pabazuar (neni 11 § 2 i DP nr. 90/2008).
(d) Mbrojta ndaj kthimit
119. Ligji nr. 3386/2005, i ndryshuar me ligjin nr. 3772/2009 (neni 76 (1) c), autorizon dëbimin administrativ të një të huaji në veçanti kur prania e tij apo e saj në Greqi është një kërcënim për rendin publik apo sigurinë kombëtare. Të huajt konsiderohen se përbëjnë një kërcënim të tillë në qoftë se ka procedura penale në vijim e sipër kundër tyre, për një vepër të dënueshme me burgim më shumë se tre muaj. Largimi në mënyrë të paligjshme nga vendi duke përdorur një pasaportë false ose dokumente të tjetër udhëtimi, përbën një vepër penale sipas neneve 83 (1) dhe 87 (7) të ligjit nr. 3386/2005.
120. Megjithatë, kërkuesit për azil dhe refugjatët janë të përjashtuar nga objekti i këtij Ligji (nenet 1 c) dhe 79 d)). Azilkërkuesit mund të qëndrojnë në vend derisa procedurat administrative për shqyrtimin e kërkesës tyre të kenë përfunduar, dhe nuk mund të detyrohen të largohen në asnjë mënyrë (neni 1 § 1 i DP nr. 61/1999 dhe nenit 5 § 1 i DP nr. 90/2008 ).
(e) Autorizimi për të qëndruar për arsye humanitare dhe mbrojtje plotësuese
121. Në raste të jashtëzakonshme, veçanërisht për arsye humanitare, Ministri i Rendit Publik (tani Ministri i Mbrojtjes Civile) mund të autorizojë qëndrimin e përkohshëm të një të huaji kërkesa e të cilit për marrjen e statusit të refugjatit është refuzuar, derisa të bëhet e mundur për të për t’u larguar nga vendi (neni 25 (6) të ligjit nr. 1975/1991). Për dhënien e një autorizimi të tillë për arsye humanitare, kriteret që merren parasysh janë: pamundësia objektive e largimit ose kthimi në vendin e origjinës për arsye të forcës madhore, të tilla si arsye serioze shëndetësore, një bojkot ndërkombëtar i vendit të origjinës, konflikte civile me shkelje masive të të drejtave të njeriut, apo rreziku i trajtimit në kundërshtim me nenin 3 të Konventës në vendin e origjinës (neni 8 § 2 i DP nr. 61/1999). Në rastin e fundit Gjykata e Lartë Administrative konsideron se marrja në konsideratë e rrezikut në lidhje me nenin 3 të Konventës nuk është një opsion, por një detyrim për autoritetet administrative (shih, për shembull, vendimet nr. 4055/2008 dhe 434/2009).
122. Mbrojtja plotësuese gjithashtu mund të jepet në përputhje me DP nr. 96/2008, e cila transpozon Direktivën 2004/83/EC për standardet minimale për kualifikimin dhe statusin e shtetasve të vendeve të treta ose personave pa shtetësi si refugjatë apo si persona që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare ndryshe dhe përmbajtjen e mbrojtjes së dhënë.
(f) Reformat në vazhdim në procedurën e azilit
123. Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në Greqi në tetor të vitit 2009, qeveria e re ngriti një komision ekspertësh për të dhënë një opinion mbi reformën e sistemit të azilit në Greqi. Komisionit të përbërë nga ekspertë nga Ministritë e Mbrojtjes Civile, të Brendshme dhe të Shëndetit, si dhe nga përfaqësues të UNHCR-së, Këshillit Grek për Refugjatët dhe Avokati i Popullit, si dhe akademikë, iu kërkua të propozonte ndryshime në ligjin aktual dhe praktikën dhe të bënte sugjerimet në lidhje me përbërjen dhe mënyrat e funksionimit të një autoriteti të ri civil për t’u marrë me kërkesat për azil, të përbërë jo nga oficerë të policisë, si aktualisht, por nga nëpunës publikë. Ai gjithashtu konsideroi mundësinë për të rivendosur sistemit e ankimit në komiteteve këshilluese të refugjatëve.
124. Propozimet e Komisionit të ekspertëve iu dorëzuan Qeverisë greke më 22 Dhjetor 2009 dhe një projekt-ligj është duke u përgatitur. Sipas kryeministrit grek Jorgos Papandreu, duke folur në një konferencë për shtyp më 20 janar 2010 me pjesëmarrjen e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Antonio Guterres, qëllimi i ndjekur është reformimi i kuadrit ligjor "për ta sjellë atë në përputhje me Konventa e 1951 për refugjatët dhe me të drejtën evropiane ".
2. Të dhëna statistikore mbi azilin në Greqi
125. Sipas statistikave të publikuara nga UNHCR-ja, në vitin 2008 Greqia ishte në vendin e shtatë në listën e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian lidhur me numrit të azilkërkuesve, me një total prej 19 880 kërkesash të parashtruara në atë vit (në krahasim me 15 930 në vitin 2009)(Nivelet e Azilit dhe Prirjet në Vendet e Industrializuara, 2009). 88% e shtetasve të huaj që kanë hyrë në Bashkimin Evropian në vitin 2009 kanë hyrë nëpërmjet Greqisë.
126. Për vitin 2008, UNHCR-ja raporton një përqindje suksesit në shkallë të parë (përqindja e vendimeve pozitive në lidhje me të gjitha vendimet e marra) prej 0.04% për statusin e refugjatit sipas Konventës së Gjenevës (njëmbëdhjetë njerëz), dhe 0.06% për mbrojtje humanitare, ose plotësuese (tetëmbëdhjetë njerëz) (UNHCR, Vëzhgim mbi Greqinë si një vend i azilit, 2009). 12 095 ankime janë parashtruar kundër vendimeve të pafavorshme. Ato çuan në dhënien e statusit të refugjatit në bazë të Konventës së Gjenevës për 25 njerëz dhe 11 për arsye humanitare ose mbrojtje plotësuese. Në rastin e ankimeve, përqindjet përkatëse të suksesit ishin 2.87% dhe 1.26%. Për krahasim, në vitin 2008 përqindja mesatare e suksesit në shkallë të parë ishte 36.2%, në pesë nga gjashtë vendet të cilat, së bashku me Greqinë, kishin numrin më të madh të kërkesave për azil (Franca, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Suedia dhe Gjermania) (UNHCR, Tendencat Globale 2008, Refugjatët, Azilkërkuesit, të Kthyerit, Personat e Zhvendosur Brenda Vendit dhe Personat pa shtetësi).
127. Deri në vitin 2009, 95% e kërkesave për azil kaluan përmes qendrës së policisë të Atikës. Që nga decentralizimi i përpunimit të kërkesave për azil në qendrat e policisë në të gjithë vendin, rreth 79% e kërkesave janë trajtuar nga qendra e policisë së Atikës.
IV. E DREJTA DHE PRAKTIKA PËRKATËSE BELGE
128. Ligji për të huajt përcakton fazat e ndryshme të procedurës së azilit. Lidhur me azilkërkuesit "Dublin", dispozitat përkatëse mund të përmblidhen si më poshtë.
A. Zyra për të Huajt
129. Zyra për të huajt është organi administrativ përgjegjës për regjistrimin e kërkesave për azil pas konsultimit me bazën e të dhënave Eurodac. Ai është gjithashtu përgjegjës për intervistimin e azilkërkuesve për informacione lidhur me ta në mënyrë që të përcaktojë nëse Belgjika është vendi përgjegjës sipas Rregullores së Dublinit për shqyrtimin e kërkesës për azil. Këto aspekte të procedurës janë të rregulluara me nenin 51/5 të Ligjit për të Huajt.
130. Pas intervistës, Zyra e të Huajve plotëson formularin e kërkesës "Dublin". Formulari përmban seksione për informacione të përgjithshme rreth azilkërkuesve dhe për më shumë detaje specifike se si ata arritën në Belgjikë, gjendjen e tyre shëndetësore dhe arsyet e tyre për të ardhur në Belgjikë. Nuk ka asnjë dispozitë që përcakton se azilkërkuesit duhet të asistohen nga një avokat gjatë intervistës.
131. Kur Zyra e të Huajve konstaton se Belgjika është përgjegjëse (vendim pozitiv) sipas kritereve të Dublinit, apo sipas zbatimit të dispozitave të veçanta, apo për shkak të kalimit të afati i fundit për transferim, ajo ia kalon kërkesën Zyrës së Komisionerit të Përgjithshëm për Refugjatë dhe Apatridë ("CGRSP"), organi përgjegjës për shqyrtimin kërkesave për azil.
132. Kur Zyra e të Huajve konstaton se Belgjika nuk është përgjegjës për shqyrtimin e kërkesës (vendim negativ), ajo i paraqet një kërkesë Shtetit përgjegjës për të marrë përgjegjësinë e kërkesës së paraqitur për azil. Në qoftë se Shteti bie dakord, shprehimisht ose heshturazi, Zyra e të Huajve refuzon kërkesën për azil dhe nxjerr një vendim për refuzim të lejes së qëndrimit, së bashku me një urdhër për t’u larguar nga vendi.
133. Vendimi i refuzimit dhe dëbimit të azilkërkuesit duhet të shoqërohen me arsyet përkatëse. Kur transferimi duhet të bëhet në drejtim të Greqisë, arsyetimi i urdhrit për t’u larguar nga vendi i referohet supozimin se Greqia nderon Komuniteti e saj dhe detyrimet ndërkombëtare në çështjet e azilit dhe për faktin se përdorimi i klauzolës së sovranitetit nuk është i detyrueshëm në Rregulloren e Dublinit. Në disa raste përmendet edhe fakti se kërkuesi nuk ka paraqitur asnjë provë për të demonstruar pasojat konkrete të situatës së përgjithshme për gjendjen e tij apo të saj individuale.
134. Nuk ka statistika të sakta për zbatimin nga Zyra për të Huajt të klauzolës së sovranitetit. Vendimet pozitive të marra nuk e specifikojnë këtë gjë. Të dhënat e marra nga raporti vjetor i vitin 2009 i Zyrës për të Huajt, tregojnë se në vitin 2009 Belgjika kishte bërë 1116 kërkesa në drejtim të Shteteve të tjera Anëtare për të marrë përgjegjësinë e kërkesave për azil, 420 prej të cilave ishin në Greqi, dhe se një total prej 166 kërkesash ishin referuar tek CGRSP.
135. Ndërsa kryhen procedurat për të përcaktuar se cili Shtet është përgjegjës, i huaji mund të mbahet ose ndalohet në një vend të caktuar për aq kohë sa është e nevojshme, por jo më shumë se një muaj.
B. Këshilli i Mosmarrëveshjeve për të Huajt
136. Vendimet e marra nga Zyra për të Huajt në lidhje me vendbanimin mund të kundërshtohen në Këshillin e Mosmarrëveshjeve për të Huajt. Këshilli i Mosmarrëveshjeve për të Huajt është një gjykatë administrative e themeluar me ligjin e 15 shtatorit 2006, i cili reformoi Conseil d’Etat dhe krijoi Këshillin e Mosmarrëveshjeve për të Huajt. Ky Këshill mori përsipër kompetencat e Conseil d’Etat mbi mosmarrëveshjet lidhur me të huajt, si dhe ato të Këshillit të Përhershëm të Apelit për Refugjatët.
137. Ankimet kundër urdhrave për t’u larguar nga vendi nuk kanë efekt pezullues. Gjithsesi, Ligji parashikon mundësinë e paraqitjes së një kërkese për pezullimin e ekzekutimit të një urdhri të tillë. Kërkesa për pezullimin e ekzekutimit duhet të depozitohet para, ose më së voni, në të njëjtën kohë me ankimin kundër urdhrit.
1. Pezullimi i ekzekutimit sipas një procedure tejet urgjente
138. Duke u mbështetur në nenin 39/82 të Ligjit për të huajt, në rastet e dyshimit të një rreziku të pashmangshëm, një kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të urdhrit për t’u larguar nga vendi mund të bëhet sipas procedurës tejet urgjente. Këshilli i Mosmarrëveshjeve për të Huajt do të pranojë kërkesën nëse konsideron se arsyet ku mbështetet janë mjaft serioze për të justifikuar anulimin e vendimit të kundërshtuar, dhe në qoftë se ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit ka të ngjarë të shkaktojë dëme serioze, pothuajse të pariparueshme për personin në fjalë. Kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit duhet të depozitohet jo më vonë se pesë ditë, por jo më parë se tre ditë pune, pas njoftimit të urdhrit për t’u larguar nga vendi. Para hyrjes në fuqi më 25 maj 2009 të ligjit të 6 maj 2009, afati i fundit ishte njëzet e katër orë. Kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit sipas procedurës tejet urgjente pezullon ekzekutimin e urdhrit të dëbimit.
139. Neni 39/82 (4) parashikon që kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit sipas procedurës tejet urgjente, të shqyrtohet brenda dyzet e tetë orëve nga marrja e saj nga Këshilli i Mosmarrëveshjeve për të Huajt. Nëse Presidenti i Dhomës apo gjyqtari i caktuar nuk jep një vendim brenda kësaj kohe, ata vënë në dijeni Presidentin e Parë ose Presidentin të cilët të sigurojë që të merret një vendim brenda shtatëdhjetë e dy orëve nga marrja e kërkesës. Ata madje mund ta marrin çështjen vetë për shqyrtim.
140. Sipas jurisprudencës së Conseil d’Etat dhe më pas Këshillit të Mosmarrëveshjeve për të Huajt, privimi i lirisë është i mjaftueshëm për të konsideruar një rrezik të menjëhershëm, pa qenë e nevojshme që të jetë planifikuar nisja.
2. Shqyrtimi në themel
141. Këshilli i Mosmarrëveshjeve për të Huajt, më pas vazhdon shqyrtimin e ligjshmërisë së vendimit të kundërshtuar sipas nenit 39/2 (2) të Ligjit për të Huajt, duke verifikuar nëse vendimi i autoritetit administrativ mbështetet në fakte të përfshira në dosjen administrative, që në arsyet thelbësore dhe formale për marrjen e këtij vendimi, nuk përbën haptazi, në interpretimin e tij të fakteve, një gabim në vlerësim, dhe se është në përputhje me kërkesat procedurale thelbësore ose me formalitetet ligjore të kërkuara për vlefshmërinë, apo tejkalon ose abuzon me pushtetin e dhënë (shih, për shembull, vendimin e Këshillit të Mosmarrëveshjeve për të Huajt, nr. 14,175, 31 korrik 2008).
142. Kur kërkesa për pezullimin e ekzekutimit refuzohet dhe kërkuesi dëbohet, procedura për shqyrtimin në themel vazhdon. Megjithatë, Këshilli i Mosmarrëveshjeve për të Huaj, mund të refuzojë një ankim kundër një vendimi dëbimi, me arsyetimin se duke qenë se kërkuesi nuk ndodhet më në atë vend, nuk ka më interes në kundërshtimin e atij urdhri (vendimi nr. 28.233 i 29 majit 2009; shih gjithashtu vendimin nr. 34.177të 16 nëntorit 2009).
3. Jurisprudenca e Këshillit të Mosmarrëveshjeve për të Huajt për çështjet “Dublin”
143. Rastet e para në të cilat azilkërkuesit raportuan për vështirësi në qasjen e procedurës së azilit në Greqi datojnë në prill 2008. Në vendimin e tij nr. 9796 të datës 10 prill 2008, Këshilli i Mosmarrëveshjeve për të Huajt pezulloi ekzekutimin e transferimit "Dublin" në Greqi sipas procedurës tejet urgjente, sepse autoritetet greke nuk i ishin përgjigjur kërkesës për të marrë përgjegjësinë e kërkesës për azil në fjalë dhe Zyra për të Huajt nuk kishte kërkuar garancitë individuale. Këshilli i Mosmarrëveshjeve për të Huajt konstatoi se një miratim të nënkuptuar kishte dështuar që të ofronte garanci të mjaftueshme të shqyrtimin efektiv të kërkesës për azil nga autoritetet greke. Megjithatë që nga marsi 2009, Zyra për të huajt nuk kërkon garanci të tilla dhe merr vendimet e saj në bazë të miratimit të nënkuptuar. Këshilli i Mosmarrëveshjeve për të Huaj nuk e ka vënë më në diskutim këtë qasje, duke pasur parasysh se Greqia ka transpozuar Direktivat e Kualifikimin dhe Procedurave.
144. Në vlerësimin e arsyetimit në dhënien e urdhrit të largimit nga vendi Këshilli i Mosmarrëveshjeve për të Huajt merr parasysh para së gjithash dhe mbi të gjitha, faktet e dala në Zyrën për të Huajt gjatë intervistës së Dublinit dhe të regjistruara në dosjen administrative. Nëse paraqiten prova të mëtejshme, duke përfshirë dokumente të një natyre të përgjithshme, në një letër drejtuar Zyrës për të Huajt gjatë procesit shqyrtues “Dublin”, apo gjatë procesin të ankimit ndaj një urdhri për t’u larguar nga vendi, ato sistematikisht nuk merren parasysh nga Këshilli i Mosmarrëveshjeve për të Huajt, me arsyetimin se nuk janë paraqitur në kohën e përshtatshme apo se nuk janë të besueshme pasi nuk ishin përmendur në deklarimet e azilkërkuesit në Zyrën për të Huajt (shih, për shembull, vendimet nr. 41482 i 9 prillit 2010 dhe nr. 41351 i 1 prillit 2010).
145. Lidhur me rastet në të cilat Këshilli i Mosmarrëveshjeve për të Huajt ka marrë në konsideratë raportet ndërkombëtare të paraqitura nga azilkërkuesit e Dublinit, të cilat konfirmojnë rrezikun e shkeljes së nenit 3 të Konventës për shkak të mangësive në procedurën e azilit dhe kushtet e ndalimit dhe pritjes në Greqi, jurisprudenca ndahet për sa i përket konkluzioneve të nxjerra.
146. Dhoma të caktuara kanë qenë përgjithësisht të prirura për të marrë parasysh situatën e përgjithshme në Greqi. Për shembull, në vendimet nr. 12,004 dhe 12005 të 29 majit 2008, Këshilli vërejti se Zyra për të huajt duhet të kishte marrë parasysh pretendimet e keqtrajtimit në Greqi:
“Pala e kërkuesit ka njoftuar palën tjetër në kohën e duhur se, sipas tij transferimi i tij në Greqi përbënte shkelje të nenit 3 të Konventës, në veçanti për shkak të trajtimit çnjerëzor dhe degradues që ai pretendonte se kishte vuajtur dhe nuk kishte dyshim se do vuante përsëri atje. ... Këshilli vëren se, kërkuesi në argumentim se, transferimi i tij në Greqi e ekspozonte ndaj rrezikut të trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues në kundërshtim me nenin 3 të Konventës, dhe në paraqitjen e dokumenteve të besueshme mbështetëse të pretendimeve të palës tjetër, kërkuesi formulon një kundërshtim të qartë dhe të detajuar në lidhje me një element të rëndësishëm të transferimit të tij në Greqi. Prandaj, pala tjetër duhej t’i ishte përgjigjur këtij kundërshtimi, në vendimin e saj, në mënyrë që të përmbushte detyrimet e saj lidhur me arsyetimin.”
147. Në të njëjtën mënyrë, në vendimin nr. 25 962 të datës 10 prill 2009, Këshilli i Mosmarrëveshjeve për të Huajt pezulloi ekzekutimin e një transferimi në Greqi si më poshtë:
“Këshilli konsideron se raporti i 4 shkurtit 2009 i Komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, (...), dhe fotot që ilustrojnë informatat që gjenden në të në lidhje me kushtet e ndalimit të azilkërkuesve janë veçanërisht të rëndësishme. ... Edhe pse raporti daton më herët se gjykimi aktual i Këshillit dhe i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të përmendura në vendimin e marrë, përmbajtja e këtij raporti është mjaft e qartë për të konkluduar se pavarësisht nga përpjekjet e saj të fundit për të qenë në përputhje me standardet e duhura evropiane në çështjet e azilit dhe të drejtat themelore të azilkërkuesve, autoritetet greke nuk janë ende në gjendje t’u ofrojnë azilkërkuesve pritjen minimale apo garancitë procedurale.”
148. Dhoma të tjera kanë zgjedhur një tjetër qëndrim, i cili konsiston në marrjen parasysh të dështimit për të demonstruar lidhjen mes gjendjes së përgjithshme në Greqi dhe situatës individuale të ankuesit. Për shembull, në vendimin nr. 37916 të 27 shkurtit 2009, duke hedhur poshtë një kërkesë për pezullimin e ekzekutimit të transferimit në Greqi, Këshilli i Mosmarrëveshjeve për të Huajt arsyeton si më poshtë:
[Përkthim nga Sekretaria e Gjykatës]
“Informacioni i përgjithshëm i paraqitur nga ankuesi në dosjen e tij ka të bëjë kryesisht me gjendjen e të huajve që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare në Greqi, rrethanat në të cilat ata janë transferuar dhe pritur në Greqi, mënyrën sesi janë të trajtuar dhe mënyrën sesi zbatohen procedura e azilit në Greqi. Materialet nuk tregojnë asnjë lidhje konkrete ndërmjet mangësive të raportuara do rezultonin në shkeljen e detyrimit të moskthimit nga ana e Greqisë për të huajt të cilët, si kërkuesi, ishin transferuar në Greqi ... Duke pasur parasysh sa më sipër, kërkuesi nuk ka treguar se zbatimi i vendimit të kundërshtuar do ta ekspozonte atë praktikisht ndaj një rreziku të dëmi të pariparueshëm”.
149. Në tre raste në vitin 2009 e njëjta dhomë mbajti një qëndrim të kundërt dhe vendosi të pezullonte transferimet në Athinë, duke deklaruar se Zyra për të Huajt, në arsyetimin e saj, duhet të merrte parasysh të dhënat mbi situatën e përgjithshme në Greqi. Këto janë vendimet nr. 25959 dhe 25960 të 10 prillit 2009 dhe nr. 28804 të datës 17 qershor 2009).
150. Në mënyrë që të harmonizonte jurisprudencën, Kryetari i Këshillit të Mosmarrëveshjeve për të Huajt mblodhi një sesion plenar në 26 mars 2010 i cili mori tri vendime (vendimet nr. 40963, 40964 dhe 10965), arsyetimi i të cilëve mund të përmblidhet si më poshtë:
-Greqia është anëtare e Bashkimit Evropian, i cila respekton shtetin e së drejtës, Palë e Konventës dhe e Konventës së Gjenevës dhe e detyruar të respektojë të drejtën komunitare në çështjet e azilit;
-bazuar në parimin e besimit ndërkomunitar, duhet të supozohet se Shteti në fjalë do të përmbushë detyrimet e tij (referencë jurisprudencës së Gjykatës në K.R.S kundër Mbretërisë së Bashkuar (dec.), nr. 32733/08, ECHR 2008- ...);
-në mënyrë që të përmbysë këtë supozimin, kërkuesi duhet të tregojë konkretisht se ekziston një rrezik i vërtetë që ai t’i nënshtrohet trajtimit në kundërshtim me nenin 3 të Konventës në vendin në të cilin ai është duke u transferuar;
-referencat e thjeshta në raporte të përgjithshme nga burime të besueshme të cilat tregojnë se ka probleme me pritjen e azilkërkuesve, se është shkelur parimi i moskthimit apo fakti që procedurat e azilit në një vend anëtar të Bashkimit Evropian paraqesin mangësi, nuk mjaftojnë për të demonstruar ekzistencën e një rreziku të tillë.
151. Në thelb, i njëjti arsyetim është në themel të vendimeve të Këshillit të Mosmarrëveshjeve për të Huajt kur shqyrton ankesat për rrëzimin e një vendimi. Kështu, pasi e deklaroi ankimin të papranueshëm sa i përket urdhrit për t’u larguar nga vendi, pasi kërkuesi tashmë ishte larguar, gjykimi i lartpërmendur nr. 28233 i 29 majit 2009 shkoi më tej duke e shqyrtuar ankimin sipas Konventës, veçanërisht nenit 3 të saj, dhe e hodhi poshtë ankimin për faktin se ankuesi kishte dështuar të tregonte ndonjë lidhje konkrete mes situatës së përgjithshme në Greqi dhe gjendjes së tij individuale.
C. Conseil d’Etat
152. Dispozitat në lidhje me ankimin përpara Conseil d’Etat dhe kompetencat e këtij të fundit janë gjetur në ligjet për Conseil d’Etat të formuluara në 12 janar 1973.
153. Një avokat mund të paraqesë një ankesë administrative në Conseil d’Etat brenda tridhjetë ditëve nga njoftimi i vendimit të Këshillit të Mosmarrëveshjeve për të huajt.
154. Që ankesa të shqyrtohet nga Conseil d’Etat, ajo duhet të deklarohet e pranueshme. Ajo deklarohet e pranueshme, nëse nuk haptazi e papranueshme ose i mungon qëllimit; nëse pretendohet se ka pasur shkelje të ligjit apo nuk janë respektuar kërkesat procedurale thelbësore apo formalitetet ligjore të kërkuara, mosrespektimi i të cilave sjell pavlefshmëri, për sa kohë sa ky pretendim nuk është haptazi i pabazuar dhe gabimi i pretenduar mund të ketë ndikuar në vendim dhe është i mjaftueshëm për të justifikuar rrëzimin e tij; ose në qoftë se shqyrtimi i tij është i nevojashëm për të garantuar qëndrueshmërinë në jurisprudencë.
155. Kjo procedurë nuk ka efekt pezullues. Conseil d’Etat jep vendimin për pranueshmërinë e kërkesës në parim brenda tetë ditëve.
156. Kur kërkesa deklarohet e pranueshme, Conseil d’Etat jep një vendim brenda gjashtë muajve dhe mund të përmbysë vendimet e Këshillit të Mosmarrëveshjeve për të Huajt për shkelje të ligjit ose për moszbatim të kërkesave themelore procedurale apo të formaliteteve ligjore të kërkuara, mosrespektimi i të cilave sjell pavlefshmëri.
157. Gjykimet e përmendura në dosjen e çështjes tregojnë se Conseil d’Etat nuk e vë në pikëpyetje qëndrimin e Këshillit të Mosmarrëveshjeve për të Huajt të sqaruar më sipër dhe konsideron se nuk ngrihet asnjë problem në bazë të nenit 13 të Konventës (shih, për shembull, vendimin nr. 5115 të 15 dhjetorit 2009).
D. Gjykatat dhe tribunalet158. Vendimet e marra nga Zyra për të Huajt në lidhje me ndalimin (urdhrat për të ndaluar kërkuesit në një vend të caktuar dhe urdhrat për ri-ndalimin e tyre) mund të kundërshtohen në gjykatë. Në shqyrtimin e kërkesave për lirim nga vendet e ndalimit, Gjykata e Apelit e Brukselit (Divizioni i Aktakuzave) ka zhvilluar jurisprudencën që merr parasysh rreziqet e hasura nga personat në fjalë në rast kthimi në Greqi, si dhe konstatimin nga Gjykata se Greqia ka shkelur detyrimet e tij sipas nenit 3 (S.D kundër Greqisë, nr. 53541/07, 11 qershor 2009, dhe Tabesh kundër Greqisë, nr. 8.256 / 07, 26 nëntor 2009).
V. DOKUMENTET NDËRKOMBËTARE TË CILAT PËRSHKRUAJNË KUSHTET E NDALIMIT DHE PRITJES SË AZILKËRKUESVE DHE GJITHASHTU PROCEDURËS SË AZILIT NË GREQI
A. Raportet e publikuara që prej vitit 2006
159. Që nga viti 2006, janë publikuar rregullisht raporte nga organizata kombëtare, ndërkombëtare dhe organizatat joqeveritare në të cilat kritikoheshin kushtet e pritjes të azilkërkuesve në Greqi.
160. Më poshtë është një listë e raporteve kryesore:
-Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës, pas vizitës së saj në Greqi nga 27 gusht deri më 9 shtator 2005, botuar më 20 dhjetor 2006;
-Raporti i Delegacionit të Komitetit LIBE në vizitën e tij në Greqi (Athinë dhe Samos), Parlamenti Evropian, 17 korrik 2007;
-Pro Asyl, "E vërteta mund të jetë e hidhur, por duhet thënë - Situata e refugjatëve në Egje dhe Praktikat e Rojeve Bregdetare Greke", tetor 2007;
-UNHCR, "Azili në Bashkimin Evropian. Një studim i zbatimit të Direktivës së Kualifikimit", nëntor 2007;
-Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës, pas vizitës së tij në Greqi nga 20 deri më 27 shkurt 2007, botuar më 8 shkurt 2008;
-Amnesty International, "Greqia: Nuk ka vend për azilkërkuesit", 27 shkurt 2008;
-Këshilli Evropian mbi Refugjatët dhe të Dëbuarit ("ECRE"), "Në Fokus Greqia - Lotaria për azil në BE nën zjarr", 3 prill 2008;
-Organizata norvegjeze për azilkërkuesit ("NOAS"), "Një lojë fati me të drejtën e azilit në Evropë - Politika Greke mbi azilin dhe Rregullorja e Dublinit II", 9 prill 2008;
-UNHCR, "Opinion mbi kthimin e azilkërkuesve në Greqi sipas Rregullores së Dublinit", 15 prill 2008;
-Human Rights Watch "I mbërthyer në një derë rrotulluese - Irakianë dhe azilkërkues të tjerë dhe migrantë në Greqi / Turqia hyrje për në Bashkimin Evropian", nëntor 2008;
-Clandestino "Emigracioni ilegal: të numërosh të panumërueshmen: të dhënat dhe tendencat nëpër Evropë", dhjetor 2008;
-Human Rights Watch, “Lënë për të mbijetuar”, dhjetor 2008;
-Cimade, “E drejta e azilit: njerëzit e Dublin II, rrugëtimi juridik i azilkërkuesve që i nënshtrohen një ripranimit sipas rregullores Dublin II”, dhjetor 2008;
-Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Z. T. Hammarberg, raport i përgatitur pas vizitës së tij në Greqi në 8 deri më 10 dhjetor 2008, botuar më 4 shkurt 2009;
-Këshilli Grek i Refugjatëve, "Dilema Dublin -" Zhvendosja e barrës dhe vendosja e azilkërkuesve në rrezik”. 23 shkurt 2009;
-Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës, raport i përgatitur pas vizitës në Greqi nga 23 deri më 28 shtator 2008, botuar më 30 qershor 2009;
-Kryqi i Kuq Austriak dhe Karitas, "Gjendja e personave të kthyer nga Austria në Greqi sipas Rregullores së Dublinit. Raport i një misioni të përbashkët për gjetjen e fakteve në Greqi (23-28 maj 2009) ", gusht 2009;
-Komiteti Norvegjez i Helsinkit ("NHC"), NOAS dhe Aitima, "Jashtë nga dera e pasme: Rregullorja e Dublinit II dhe dëbimet ilegale nga Greqia", tetor 2009;
-Human Rights Watch, "Greqia: Brigje të pasigurta dhe jomikpritëse", tetor 2009;
-UNHCR, Vëzhgimet mbi Greqinë si një vend i azilit, dhjetor 2009;
-Amnesty International, "Gracka Dublin II: transferimet e azilkërkuesve të Dublinit në Greqi", mars 2010;
-Komisioni Kombëtar për të Drejtat e Njeriut (Greqi), "Kushtet e paraburgimit në stacionet e policisë dhe zonat e ndalimit për të huajt", prill 2010;
-Amnesty International, "Emigrantët e parregullt dhe azilkërkuesit e rregullt të ndaluar në kushte nën standardet e kërkuara", korrik 2010
B. Kushtet e ndalimit
161. Raporte e lartpërmendura dëshmojnë për një praktikë sistematike të ndalimit të azilkërkuesve në Greqi nga disa ditë deri në disa muaj pas arritjes së tyre. Kjo praktikë prek si azilkërkuesit që shkojnë në Greqi për herë të parë dhe ato të cilët transferohen nga një shtet anëtar i Bashkimit Evropian, sipas Rregullores së Dublinit. Dëshmitarët raportojnë se nuk ka informacion në lidhje me arsyet e ndalimit.
162. Të gjitha qendrat e vizituara nga ana e organeve dhe organizatave që kanë botuar raportet e renditura më sipër tregojnë për një situatë të ngjashme me shkallë të ndryshme të gravitetit: mbipopullim, papastërti, mungesa të hapësirës, mungesa të ajrosjes, pak ose aspak mundësi për të shëtitur, mungesa të vendeve për t’u çlodhur, mungesë dyshekësh, dyshekë të papastër, akses jo i lirë për në tualet, ambiente sanitare jo të përshtatshme, mungon intimiteti, akses i kufizuar për kujdesin. Shumë prej njerëzve të intervistuar u ankuan edhe për fyerje, veçanërisht fyerje raciste, nga stafi dhe përdorimin e dhunës fizike nga rojet.
163. Për shembull, pas vizitës së tij në Greqi nga 27 gusht deri më 9 shtator 2005, CPT raportoi:
“Ndërtimi i objekteve të reja të veçanta për qëndrimin e të huajve (...) përfaqëson një mundësi për Greqinë në mënyrë që të zhvillojë një qasje në përputhje me normat dhe standardet e zhvilluara evropiane. Për fat të keq, qëndrimi i autoriteteve greke për këto qendra është trajtimi i tyre si burgje, shpesh në kushte të vjetruara dhe pa aktivitete që kanë një qëllim dhe me një sigurim shëndetësor minimal, për personat që nuk janë as të dënuar dhe as të dyshuar për një vepër penale dhe që shpesh kanë përjetuar, siç përshkruhet nga shumë bashkëbisedues grekë, udhëtime plot vuajtje për të arritur në Greqi.”
Në shkurt të vitit 2007, CPT inspektoi 24 stacione policore dhe qendra ndalimi për emigrantët, nën administrimin e Ministrisë së Rendit Publik dhe arriti në përfundimin se "personat e privuar nga liria nga ana e oficerëve të zbatimit të ligjit në Greqi janë nën një rrezik real keqtrajtimi". Ai shtoi se:
“Që nga vizita e fundit e CPT-së në Greqi, në vitin 2005 nuk ka pasur asnjë përmirësim për sa i përket mënyrës sesi trajtohen personat e ndaluar nga organet e zbatimit të ligjit. Delegacioni i CPT-së dëgjoi, edhe një herë, një numër të konsiderueshëm pohimesh për keqtrajtim të personave të privuar nga liria nga ana e oficerëve të zbatimit të ligjit. Shumica e akuzave kishte të bënte me dhunime si gjuajtje me shuplaka, grushte, shqelma dhe goditje me shkopinj gome, të ushtruara gjatë arrestit ose gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e policisë. (...) Në disa raste, mjekët e delegacionit kanë vërejtur se akuzat për keqtrajtim nga ana e oficerëve të zbatimit të ligjit dëshmoheshin nga lëndimet e shfaqura tek personat e ndaluar në fjalë.”
Në nëntor 2008 Human Rights Watch shprehu shqetësimin e tij me këto fjalë:
“Edhe pse autoritetet e policisë greke nuk ka i kanë lejuar Human Rights Watch akses të lirë për të vlerësuar kushtet e ndalimit në qendrat ku kemi kërkuar të vizitojmë, ne ishim në gjendje për të mbledhur dëshmitë nga të ndaluarit që tregojnë një situatë alarmante të keqtrajtimit policor, mbipopullimit dhe kushte johigjienike, veçanërisht në vende ku ne nuk u lejuam të vizitonim, të tilla si stacionet e policisë kufitare, në aeroport, Venna, dhe Mitilini. Kushtet e ndalimit dhe abuzimet e policisë të përshkruara në tri seksionet e mëparshme të këtij raporti, sigurisht përbëjnë trajtim çnjerëzor dhe degradues.”
Në raportin e tij të dhjetorit 2008 Cimade vërejti si më poshtë:
“Në vitin 2003, 1000 njerëz mbërritën në Lesbos, në vitin 2007 u regjistruan 6000 të ardhur dhe në tetë muajt e parë të vitit 2008 ka pasur 10000 persona të ardhur. (...) Një grup i demonstruesve janë duke pritur për ne: duke brohoritur "jo kufi, jo komb, jo dëbim", rreth dhjetë prej tyre kërkonin që vendi të mbyllej. Me krahët e nxjerra jashtë telave bënin thirrje për ndihmë. Në tre dhoma të mëdha “kafaz” gjendeshin në secilën 85 meshkuj: afganë, palestinezë, somalezë, të mbyllur gjatë gjithë ditës në mjerim të tmerrshëm. Është e ftohtë në fund të verës në Greqi dhe njerëzit flenë në dysheme pres çimentoje. Ka një erë të fortë që më kujton zonat e përkohshme të ndalimit në Roissy (...). Shumica e njerëzve kanë qenë aty disa ditë, disa për një muaj. Ata nuk e kuptojnë se përse gjenden atje. Burrat janë ndarë nga gratë dhe fëmijët. Ngjitem në nivelin e dytë: një njeri nga Sri Lanka me një sëmundje infektive po mbahet në izolim në një shtëpi njëkatëshe të vogël. Hangari ku mbahen gratë dhe fëmijët është i vetmi që është i hapur. Ka shtretër, por mjaftueshëm, kështu që ka dyshekët në vendosur në dysheme prej çimentoje. Është fundi i verës, por të gjithë ankohet se kanë ftohtë dhe nuk ka batanije mjaftueshëm. Burg i fundit, është ai për të miturit. Ka njëzet e pesë prej tyre. (...)”
Në raportin e tij të shkurtit 2009, Komisioneri i Këshilli i Evropës për të Drejtat e Njeriut deklaroi:
“Gjatë takimit me Komisionerin, autoritetet në Departamentin e Evros e informuan atë se në 1 dhjetor 2008 ka pasur 449 emigrantë të parregullt të mbajtur të ndaluar nga policia në gjashtë qendra të ndryshme të ndalimi në atë departament. Pesë nacionalitetet më të zakonshme janë: Iraku (215), Afganistani (62), Gjeorgjia (49), Pakistani (37) dhe Palestina (27). Më 9 dhjetor 2008, data e vizitës së Komisionerit, në dy dhoma të veçanta ndalimi tip magazinash të stacionit të policisë kufitare Feres, e cila daton nga viti 2000, ishin 45 emigrantë të parregullt meshkuj të rinj, shumica e tyre irakianë. (...) Ata në fakt ishin ngjeshur në dhoma, ku flinin dhe shkelnin mbi dyshekët që ishin vendosur në dysheme dhe në një platformë çimentoje, njëri pas tjetrit. Në tualet kushtet ishin të pista. Disa të paraburgosur kishin skuqje të lëkurës të dukshme në krahët e tyre dhe njëri me këmbët e zhveshur u ankua se autoritetet nuk u jepnin këpucë dhe rroba të pastra. (...). Më 9 dhjetor 2008, autoritetet policore informuan Komisionerin se në Kyprinos (Fylakio) ka pasur 320 të ndaluar në shtatë dhomat ndalimi, shumica me kombësi irakiane dhe afgane.”
164. CPT-ja vizitoi qendrën e ndalimit pranë aeroportit ndërkombëtar të Athinës në gusht dhe shtator 2005. Ajo vuri në dukje:
“Kushtet në qelitë e veçanta janë shqetësuese për delegacionit të CPT-së. Çdo qeli (me sipërfaqe 9.5 m²) kishte zyrtarisht një kapacitet prej pesë personash, tepër të lartë edhe në këtë numër personash. Në fakt, regjistrat tregonin se në shumë raste, për shembull, në maj dhe qershor 2005 në këto qeli mbaheshin gjashtë dhe madje deri në nëntë persona. Nga shqyrtimi i qelive dukej se fillimisht ata ishin dizajnuara për një person pasi ekzistonte vetëm një bazament në qeli - sigurisht jo më shumë se tre persona, mundësisht jo më shumë se dy, duhet të mbaheshin brenda natës në qeli të tilla. Ambientet sanitare ishin jashtë qelive dhe delegacioni dëgjoi shumë ankesa se rojet e policisë nuk i përgjigjeshin me shpejtësi kërkesave për të shkuar në tualet, më tej, aksesi në dush ishte tejet i kufizuar, dhe pesë persona, në të njëjtën qeli, pohuan se nuk kishte bërë dush që prej shtatë ditësh – i nxehti i madh, erë e keqe e djersës i bënte të besueshme pretendimet t tyre. Delegacioni u takua edhe me një person i cili kishte kaluar një muaj e gjysmë në një nga qelitë pa ndërruar rrobat asnjëherë, pa pasur mundësi për të marrë ajër të pastër, dhe as ndonjë ushtrim fizik apo ndonjë aktivitet.”
Pas vizitës në Greqi në vitin 2007, CPT-ja vuri në dukje se nuk kishte pasur asnjë përmirësim për sa i përket mënyrës së trajtimit të personave të ndaluar dhe raportoheshin raste të keqtrajtimit nga oficerët e policisë në qelitë e dëbimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Athinës:
“Në ambientet e ndalimit në Petru Rali, një shtetas nga Bangladeshi pretendoi se ishte qëlluar me shuplakë dhe shqelmuar nga policët shoqërues në qelin e dëbimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Athinës, pasi kishte refuzuar dëbimin. Ai më tej pohoi se ata i kishin vënë duart në fyt, kishin ushtruar presion me gishta në sytë e tij , i kishin përdredhur duart pas shpinës së tij dhe e kishin goditur atë në anën e pasme të këmbëve, vithe dhe në bark, derisa më pas atij i kishte rënë të fikët. Në vizitën e bërë nga një prej anëtarëve të delegacionit mjekësor, ishin vërejtur lëndimet e mëposhtme: një të nxirë të vogël (afërsisht 0.3 cm) në buzën e poshtme dhe një mavijosje e kuqe në faqen e majtë poshtë syrit (2 cm), i cili kishte dy të nxira aty; shenja të përhapura të dëmtimeve në ngjyrë rozë në të dy anët e ballit dhe një e mavijosur e kuqërremtë (2 cm) në qendër të gjoksit; ënjtje e gurmazit dhe ënjtje e pjesëve të jashtme lart të dy krahëve; në këmbën e djathtë, poshtë dhe në anësore të kupës së gjurit, shenja të përhapura të dëmtimeve në ngjyrë rozë dhe një sipërfaqe e kuqërremtë (përafërsisht 2 cm x 2 cm) në pjesën e afërt të saj.
165. Gjatë vizitave të saj në tetor 2009 dhe maj 2010, Amnesty International e përshkroi qendrën e ndalimit pranë aeroportit si më poshtë:
“Qendra është e ndarë në tre sektorë. Sektori i parë përbëhet nga tre qeli, secila përafërsisht 7m2. Ka një dritare për çdo qeli, dhe i gjithë sektori ka dy WC dhe dushe të veçanta. Sektori i dytë përbëhet nga tre qeli të mëdha, secila rreth 50m2. Tualetet janë të ndara nga qelitë dhe ndodhen në korridor jashtë qelive. Sektori i tretë përbëhet nga nëntë qeli shumë të vogla, secila prej rreth 10m2. Qelitë janë të vendosura në rresht njëra pas tjetrës, përgjatë një korridori të vogël ku është i vendosur një telefon me kartë. Në anën tjetër të korridorit, përballë qelive, janë dy tualete dhe dy dushe.
Gjatë vizitës së tyre në tetor 2009, përfaqësuesit e Amnesty International mundën të vizitonin dy sektorët e parë, ku mbaheshin të kthyerit e Dublin II dhe azilkërkues të tjerë. Përfaqësuesit vërejtën se të ndaluarit mbaheshin në kushte të rënda mbipopullimi dhe se kushtet fizike ishin të papërshtatshme. Shumë azilkërkues raportonin se ishin abuzuar verbalisht nga oficerë të policisë.
Gjatë vizitës në maj 2010 përfaqësuesit e Amnesty International, u lejuan të vizitonin të tre sektorët. Autoritetet policore u thanë përfaqësuesve se sektori i parë është përdorur për ndalimin e të kthyerve të Dublinit II dhe të azilkërkuesve të tjerë; sektori i dytë për ndalimin e emigrantëve të parregullt femra të ndaluara për përpjekjen për të lënë Greqinë me dokumente false dhe sektori i tretë për ndalimin e meshkujve emigrantë të parregullt të ndaluar për përpjekjen për të lënë Greqinë me dokumente false.
Gjatë vizitës në maj 2010, ka pasur shtatë azilkërkues të strehuar në sektorin e parë (gjashtë meshkuj dhe një femër), por jo të kthyer të Dublin II. Në sektorin e dytë, 15 femra qëndronin në një qeli, tre prej tyre shtatzënë. Një nga gratë shtatzëna ishte ankuar disa herë se nuk mund të merrte frymë, dhe kishte pyetur se, kur mund të largohej nga qelia. Në një tjetër qeli ishte një burrë me një këmbë të plagosur. Ata të cilët mbaheshin në sektorin e parë dhe të dytë u thanë përfaqësuesve të Amnesty International se policia rrallë hapte dyert e këtyre sektorëve. Si rezultat i kësaj, ata nuk kanë ujë të pijshëm pasi pajisja ftohëse e ujit ndodhej jashtë, dhe kështu detyroheshin të pinin ujë nga tualetet. Në kohën e vizitës rreth 145 të ndaluar qëndronin në sektorin e tretë në kushtet të rënda të mbipopullimit. Midis tyre, përfaqësuesit gjetën një të kthyer Dublin II. Aty ishin nëntë qeli në total. Përfaqësuesit mundën të vizitonin dy prej qelive, secila prej tyre përmbante vetëm një shtrat (një bazament çimentoje i ngritur me një dyshek sipër) dhe në to qëndronin nga 14 deri 17 persona. Nuk kishte dyshekë mjaftueshëm, dhe të ndaluarit flinin në dysheme. Si rezultat i mbipopullimit dhe dyshekëve në dysheme, nuk kishte asnjë hapësirë për të lëvizur përreth. Të ndaluarit u pohuan Amnesty International se, për shkak të mungesës së hapësirës, nuk mund të shtriheshin dhe të flinin të gjithë në të njëjtën kohë. Pavarësisht se qelitë e vizituara kishin dritare, për shkak të mbipopullimit ventilimi nuk ishte i mjaftueshëm. I nxehti në qeli ishte i padurueshëm.
Të ndaluarit që mbahen në sektorin e tretë i thanë Amnesty International se oficerët e policisë nuk kishin lejuar ata që të ecin në korridor jashtë qelive të tyre, dhe se kishin pasur vështirësi për të shkuar në tualete. Në kohën e vizitës së organizatës, të ndaluarit ishin duke trokitur në dyert qelive dhe kërkonin dëshpërimisht nga policia t’i lejonin të shkonin në tualet. Amnesty International ka vërejtur se disa njerëz të cilët ishin lejuar të shkojë në tualet mbanin një shishe plastike gjysmë ose pothuajse tërësisht të mbushur me urinë. Autoritetet policore pranuan se në çdo qeli përdoreshin shishe plastike për nevojat e tyre personale që më pas ata i zbraznin kur lejoheshin të shkonin në tualet. Gjithashtu, përfaqësuesit vërejtën se tualetet ishin të pista dhe dy dushe nuk kishin as perde dhe as derë, dhe kështu i mungonte privatësia.
Autoritetet policore të Aeroportit të Athinës thanë për Amnesty International se vendosja e dënimeve me burgim për emigrantët e parregullt ose azilkërkuesit e arrestuar në aeroport për përdorim të dokumente të rreme, të cilët nuk ishin në gjendje të paguanin shpenzimet e gjyqit, kanë çuar edhe në mbipopullimin e zonave të ndalimi.
Në kohën e vizitës, organizata vërejti një mungesë të plotë të produkteve të higjienës të tilla si shampo, sapun dhe letër higjienike në të gjithë sektorët. Përveç kësaj, shumë prej të ndaluarve u thanë përfaqësuesve se, ata nuk ju ishin lënë bagazhet e tyre, kështu që ata nuk kishin sendet e tyre personale, duke përfshirë rroba për t’u ndërruar. Disa thanë se, si pasojë e kësaj, ata kishin mbajtur të njëjtën veshje për disa javë. Për më tepër, nuk kishte asnjë mundësi për ushtrime jashtë në ambient të hapur. Dy persona u ankuan se ata nuk ju kishin marrë ilaçet, pasi ato ishin në bagazhin e tyre. Raportime të ngjashme janë marrë gjatë vizitës në tetor 2009. Përveç kësaj, shqetësimet lidhur aksesin në ndihmën mjekësore vazhdonin që prej nga tetori 2009. Autoritetet e aeroportit i pohuan Amnesty International se nuk qendrat nuk kishte një mjek rregullisht i cili të ishte në shërbim të personave të ndaluar dhe kujdesi mjekësore jepej vetëm kur kërkohej nga një i ndaluar duke thirrur mjekët e ndihmës së parë të aeroportit.”
166. Pas vizitës së tyre më 30 prill 2010, Médecins sans Frontières - Greqi publikoi një raport, i cili gjithashtu tregonte për mbipopullimin në qendrën e ndalimit (300 të burgosur) dhe kushte alarmante sanitare dhe higjienike. Në tre qelitë për familjet, me një kapacitet prej 8-12 persona, 155 persona mbaheshin pa ventilim dhe kishte vetëm me tre tualete dhe dushe në dispozicion.
C. Kushtet jetësore
167. Sipas personave të intervistuar për raportet e renditura në paragrafin e mësipërm 160, kur azilkërkuesit liroheshin ndiqeshin praktika të ndryshme. Në aeroportin ndërkombëtar të Athinës, ata ose ishin pajisur direkt më një kartë rozë ose u ishte thënë t’i drejtoheshin qendrës policore të Atikës për të marrë një të tillë. Në disa raste, kur ata ishin për herë të parë në Greqi u lëshohej direkt një urdhër për t’u larguar nga vendi brenda disa ditësh. Për ata të cilët mbërrinin dhe mbaheshin të ndaluar në pjesë të tjera të vendit, praktikat e ndjekura pas lirimit të tyre ishin më konsistente dhe kryesisht kishte të bënteme nxjerrjen e një urdhri për largimin nga vendi ose dërgoheshin në qytete të mëdha si Athina apo Patras.
168. Në çdo rast atyre nuk u jepej asnjë informacion në lidhje me mundësitë e akomodimit. Në veçanti, njerëzit e intervistuar raportuan se askush nuk u kishte thënë atyre që duhet të informojnë autoritetet për faktin që nuk kishin ku të jetonin, çka ishte parakusht për autoritetet që të përpiqeshin për t’u gjetur atyre një mënyrë strehimi.
169. Ata persona që nuk kanë familje ose të afërm në Greqi dhe nuk mund të përballojnë të paguajnë një qira flenë në rrugë. Si rezultat, shumë azilkërkues të pastrehë, meshkujt beqarë kryesisht, por edhe familje, kanë uzurpuar hapësirat publike, si kampi i improvizuar në Patras, i cili ishte evakuuar dhe shkatërruar në korrik 2009, apo gjykata e vjetër e apelit dhe parqe të caktuara në Athinë.
170. Shumë nga të intervistuarit kanë raportuar një gjendje të përhershme të frikës nga sulmet dhe grabitjet, si dhe një varfëri ekstreme të krijuara nga gjendja e tyre (vështirësi në gjetjen e ushqimit, mungesa e ambienteve sanitare, etj.).
171. Në përgjithësi, njerëzit në fjalë e varin mbijetesën e tyre tek shoqëria civile, Kryqi i Kuq dhe disa institucioneve fetare.
172. Karta rozë nuk shërben për ndonjë përfitim lidhur me marrjen e ndihmës nga shteti dhe ka pengesa të mëdha burokratike për marrjen e një leje të përkohshme pune. Për shembull, për të marrë një numër tatimor aplikuesi duhet të tregojë se ka një vendbanim të përhershëm çka në mënyrë efektive përjashton të pastrehët nga tregu i punës. Përveç kësaj, autoritetet shëndetësore nuk janë të vetëdijshëm për detyrimin e tyre për t’u ofruar azilkërkuesve trajtim mjekësor falas ose probleme të tjera shëndetësore me të cilat përballen këta njerëz.
Në nëntor 2008, Human Right Watch raportoi:
“Azilkërkuesit e të gjitha nacionaliteteve që arrijnë të pajisen dhe ta mbajnë kartën e kuqe, kanë shumë pak shpresë për të marrë mbështetje nga qeveria gjatë kohës, shpesh tepër të zgjatur, që pretendimet e tyre janë në pritje. Të pastrehët dhe të vobektit shpesh nuk kanë strehim dhe forma të tjera themelore të ndihmës sociale, pjesërisht, për shkak se Greqia ka qendra pritjeje vetëm për 770 azilkërkuesit të cilët janë më në nevojë dhe të pambrojtur. Edhe pse tre nga 10 qendrat e pritjes janë të rezervuara për fëmijët e pashoqëruar, Human Rights Watch ka takuar fëmijë të pashoqëruar, në mesin e atyre të cilët jetonin në rrugë, parqe, dhe në ndërtesa të braktisura për shkak të mungesës së strehimit dhe shërbimeve të tjera sociale. Një 15-vjeçar nigerian i regjistruar në polici, në kohën që Human Rights Watch e intervistoi jetonte në rrugë me asnjë lloj ndihmë: "Unë ende nuk kam një vend për të jetuar. Avokatët më lanë një takim në mënyrë që të kisha një vend për të jetuar. Tani unë fle jashtë në rrugë. Unë nuk jetoj askund. Kam ftohtë. Unë nuk ndjehem i sigurt. Eci për të gjetur një vend për të fjetur deri pas orës 1 ose 2 të mëngjesit deri sa gjej një park për të fjetur". Organizata norvegjeze për azilkërkues (NOAS), Komiteti Norvegjez i Helsinkit, dhe Monitoruesi Grek i Helsinkit publikuan një raport të përbashkët në prill 2008 për strehimin dhe kushteve sociale të pritjes të të kthyerve të Dublin II në Greqi, duke e përkufizuar numrin e vendeve aktuale në dispozicion të azilkërkuesve si "të papërfillshme" dhe kushtet e atyre pak qendrave të akomodimit të tyre "të mjerueshme." Ata vërejtën se, "shumica e azilkërkuesve mbeteshin krejtësisht pa asistencë sociale në lidhje me akomodimin dhe/ose forma të tjera të ndihmës sociale. Greqia është në praktikë një vend ku azilkërkuesit dhe refugjatët janë pothuajse krejtësisht të mbështetur në forcat e tyre."
D. Procedurat e azilit
1. Aksesi në procedurat e azilit
173. Raportet e përmendura në paragrafin 160 më sipër përshkruajnë pengesat e shumta të cilat pengojnë procedurën e azilit apo e bëjnë shumë të vështirë në praktikë si për të ardhurit për herë të parë dhe ata të transferuar sipas Rregullores së Dublinit që kalojnë përmes aeroportit ndërkombëtar të Athinës.
174. Të dhënat origjinale të mbledhura nga organizatat ndërkombëtare dhe organizatat jo-qeveritare dhe konkluzionet që rezultojnë prej tyre mund të përmblidhen si më poshtë.
175. Shumë pak kërkesa për azil janë paraqitur drejtpërdrejt në shërbimet e sigurisë në aeroportin ndërkombëtar për shkak të mungesës së stafit, por edhe në raste të caktuara, për shkak të mungesës së informacionit që këto shërbime ekzistojnë.
176. Kur azilkërkuesit arrijnë në aeroport ata vendosen sistematikisht direkt në qendrat e ndalimit para se situata e tyre të sqarohet.
177. Kur ata janë liruar, atyre që kanë ardhur në Greqi për herë të parë u janë, ndonjëherë u janë dhënë urdhra për t’u larguar nga vendi, të lëshuara në gjuhën greke, pa i informuar më parë për mundësinë e aplikimit për azil apo kontaktimin e një avokati për atë qëllim. Madje ka ndodhur që persona të kthyer sipas Rregullores së Dublinit, që kishin aplikuar për azil më parë kur kishin mbërritur në Greqi, u janë lëshuar urdhra për t’u larguar nga vendi me justifikim se, në mungesë të tyre, të gjitha afatet për ankimin kishin kaluar.
178. Disa organizata kanë raportuar se, në aeroportin e Athinës broshura informative mbi procedurën e azilit nuk u jepej gjithmonë personave të kthyer në bazë të Rregullores së Dublinit. Gjithashtu, nuk u është dhënë asnjë informacion tjetër në lidhje me procedurat dhe afatet ose mundësinë e kontaktimin me një avokat ose një organizatë jo-qeveritare për të kërkuar këshilla ligjore.
179. Në kundërshtim mesa më lart, policia përdor "hile" për t’i dekurajuar ata nga ndjekja e procedurës. Për shembull, sipas disa dëshmitarëve policia i bën ata të besojnë se deklarimi i një adrese ishte një kusht absolut që procedura të ecë përpara.
180. Afati tre ditorë për azilkërkuesit që të raportojnë në qendrat policore, në fakt është shumë më i shkurtër në praktikë. Zyrat në fjalë janë praktikisht të paarritshme për shkak të numrit të njerëzve që presin dhe për shkak se kërkesat për azil mund të bëhet vetëm në një ditë të javës. Përveç kësaj, kriteret e përzgjedhjes në hyrje të zyrave janë arbitrare dhe nuk ka rregulla standarde për t’u dhënë përparësi atyre që dëshirojnë të hyjnë në ndërtesë për të aplikuar për azil. Ka raste kur mijëra njerëz paraqiten në ditën që iu është caktuar dhe vetëm 300-350 kërkesa regjistrohen atë javë. Aktualisht regjistrohen rreth njëzet kërkesa në ditë, ndërkohë që deri në 2000 njerëz presin jashtë për të përfunduar formalitetet e ndryshme. Pritja është shumë e gjatë para se të merrej një takim për një intervistë parë.
181. Për shkak të pamjaftueshmërisë së masave për interpretim, intervista e parë shpesh zhvillohet në një gjuhë që azilkërkuesi nuk e kupton. Intervistat janë sipërfaqësore dhe të kufizuara në thelb për t’i kërkuar azilkërkuesit përse ai erdhi në Greqi dhe asnjë pyetje në lidhje me situatën në vendin e origjinës. Më tej, në mungesa e ndihmës juridike kërkuesit nuk mund të përballojnë një këshilltar ligjor dhe shumë të rrallë janë të shoqëruar nga një avokat.
182. Pavarësisht se, teorikisht çdo azilkërkues mund të paraqesë një kërkesë pranë Gjykatës dhe të kërkojë zbatimin e nenit 39 të Rregullores së Gjykatës, mangësitë e mësipërme janë aq të konsiderueshme sa e bëjnë pothuajse të pamundur aksesin në Gjykatë për azilkërkuesit. Kjo shpjegon numrin e vogël të kërkesave që Gjykata merr nga azilkërkuesit dhe numrin e vogël të kërkesave për masa të ndërmjetme kundër Greqisë
2. Procedurat e shqyrtimit të kërkesave për azil
183. Raportet e renditura më sipër denoncojnë mangësitë në procedurën e shqyrtimit të kërkesave për azil.
184. Në shumicën dërrmuese të rasteve kërkesat janë refuzuar në shkallë të parë, sepse është konsideruar se janë paraqitur për arsye ekonomike. Hulumtimi i kryer nga UNHCR-ja në vitin 2010 tregon se nga 202 vendimet e marra në shkallë të parë, 201 ishin negative dhe të formuluara në mënyrë stereotipike, me asnjë lloj reference në informacionin në lidhje me vendet e origjinës, nuk ka shpjegim të fakteve ku vendimi është bazuar dhe nuk ka arsyetim ligjor.
185. Raportet denoncojë mungesën e trajnimit, kualifikimet dhe/ose kompetencat e policëve përgjegjës për shqyrtimin e kërkesave për azil. Në vitin 2008, sipas UNHCR-së, vetëm njëmbëdhjetë nga gjashtëdhjetë e pesë policë të qendrës policore të Atikës, përgjegjës për shqyrtimin e kërkesave për azil, ishin specialistë në çështjet e azilit.
186. Sipas disa të dhënave, nuk ishte e pazakontë që vendimet për mospranimin e kërkesës dhe ku përcaktohej afatit kohor brenda të cilit mund të kundërshtonin vendimin e dhënë, apo rinovimi i kartës rozë të njoftoheshin me anë të një dokumenti të shkruar në greqisht. Duke qenë se kartat rinovoheshin çdo gjashtë muaj, azilkërkuesit nuk e kuptonin se kërkesat e tyre në fakt ishte refuzuar dhe se ata kishin të drejtën e ankimit. Nëse ata nuk vepronin brenda afatit të caktuar, ata ishin të përjashtuar nga procedura, dhe e gjenin veten në një situatë të paligjshme ku u duhej të përballeshin me rrezikun e arrestimit dhe vendosjes në qendrat e ndalimit në pritje të dëbimit të tyre.
187. Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut dhe UNHCR-ja gjithashtu theksuan se procedura e njoftimit për "personat që nuk u dihej adresa" nuk funksiononte në praktikë. Kështu, shumë azilkërkues nuk ishin në gjendje për të ndjekur progresin e aplikimeve të tyre dhe nuk arrinin në respektonin afatet.
188. Koha për shqyrtimin e kërkesave për azil në shkallë të parë dhe në apel është shumë e gjatë. Sipas UNHCR-së, në korrik të vitit 2009, 6145 raste në shkallë të parë dhe 42700 raste në apel raste ishin prekur nga vonesa. Sipas informacioneve të dërguara Komisionerit nga Ministria greke e Mbrojtjes Civile, numri total i kërkesave për azil në pritje kishte arritur 44650 në shkurt 2010.
3. Mjetet ankimore
189. Duke kundërshtuar, inter alia, heqjen në vitin 2009 të shqyrtimit në shkallë të dytë nga komitetet këshilluese refugjatëve (shih paragrafin 115 më sipër), UNHCR njoftoi në një deklaratë për shtyp në 17 korrik 2009 se nuk do të merrte më pjesë në procedurat e azilit në Greqi.
190. Lidhur me ankimet në Gjykatën e Lartë Administrative, raportet e përmendura në paragrafin 160 më sipër denoncojnë tejzgjatjen e procedurave. Sipas Komisionerit të Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, kohëzgjatja mesatare në aktuale ishte pesë vjet e gjysmë. Ata gjithashtu theksojnë se një ankim kundër një vendimi negativ nuk pezullon automatikisht urdhrin e dëbimit por duhej të inicioheshin procedura të veçanta në mënyrë që të kërkohet pezullimi i ekzekutimit. Këto mund të zgjasnin nga dhjetë ditë deri në katër vjet. Për më tepër, ata e konsiderojnë shqyrtimin e ushtruar nga Gjykata e Lartë Administrative jo mjaftueshmërisht të gjerë për të mbuluar detajet thelbësore të ankesave ku pretendohej shkelje të Konventës.
191. Së fundi, ata komentuan se në praktikë sistemi i ndihmës ligjore për ankim në Gjykatën e Lartë Administrative nuk funksionon. Ajo pengohet nga ngurrimi dhe mungesa e avokatëve që rezultonin në listën e ndihmës juridike për shkak të kohëzgjatjes së procedurës dhe vonesave në pagesën e tyre.
4. Rreziku i kthimit
192. Rreziku i kthimit të azilkërkuesve nga autoritetet greke, qoftë në mënyrë indirekte nëpërmjet Turqisë, qoftë direkt në vendin e origjinës, është një shqetësim i vazhdueshëm. Raportet e renditura në paragrafin e mësipërm 161 si edhe shtypi, kanë raportuar rregullisht këtë praktikë, duke vënë në dukje se autoritetet greke dëbonin, ndonjëherë kolektivisht, si azilkërkuesit që nuk kishin aplikuar ende për azil dhe ata të cilëve aplikimet u ishin regjistruar dhe ishin pajisur me karta rozë. Dëbimet në Turqi ishin rezultat ose i nismës së njëanshme të autoriteteve greke, në kufi me Turqinë, ose në kuadrin e marrëveshjes së ripranimit ndërmjet Greqisë dhe Turqisë. Ishte vërejtur se disa prej njerëzve të dëbuar ishin dërguar më pas përsëri në Afganistan nga ana e autoriteteve turke, pa u marrë fare në konsideratë kërkesat e tyre për azil.
193. Disa raporte nxjerrin në pah rrezikun serioz të kthimit sapo merrej vendimi që refuzonte kërkesën për azil, pasi ankimi në Gjykatën e Lartë Administrative nuk kishte automatikisht efekt pezullues.
5. Letra e UNHCR-së e 2 prillit 2009
194. Më 2 prill 2009, UNHCR-ja i dërgoi një letër Ministrit belg të Migracionit dhe Politikës së Azilit, ku kritikonte mangësitë në procedurën e azilit dhe kushtet e pranimit të azilkërkuesve në Greqi duke rekomanduar pezullimin e transferimeve në Greqi. Një kopje iu dërgua Zyrës për të Huajt. Letra lexon si vijon (ekstrakt):
“UNHCR-ja është e vetëdijshme se Gjykata, në vendimin e saj K.R.S kundër Mbretërisë së Bashkuar ... kohët e fundit vendosi që transferimi i një azilkërkuesi në Greqi nuk paraqiste rrezik për kthim për qëllime të nenit 3 të Konventës. Megjithatë, Gjykata nuk ka vlerësuar përmbushjen e detyrimeve të Greqisë sipas së drejtës ndërkombëtare për refugjatët. Në veçanti, Gjykata nuk tha asgjë lidhur me faktin nëse kushtet e pranimit të azilkërkuesve ishin në përputhje me standardet rajonale dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, apo nëse kërkesat për azil trajtoheshin në mënyrë të drejtë, apo edhe nëse refugjatët ishin në gjendje të ushtronin efektivisht të drejtat e tyre sipas Konventës së Gjenevës. UNHCR beson ende se ky nuk ishte rasti i Greqisë.”
195. Ajo përfundoi:
“Për arsyet e mësipërme, UNHCR-ja i qëndron vlerësimit të saj lidhur me sistemin e azilit në Greqi dhe rekomandimeve të formuluara në raportin e saj të prillit të vitit 2008, dhe shprehimisht që, Qeveritë duhet të heqin dorë nga transferimet e azilkërkuesve në Greqi dhe të marrin vetë përgjegjësinë për shqyrtimin e atyre kërkesave, në përputhje me nenin 3 § 2 të Rregullores së Dublinit.”
VI. DOKUMENTET NDËRKOMBËTARE QË PËRSHKRUAJNË GJENDJEN NË AFGANISTAN
196. Afganistani ka qenë i përfshirë në një konflikt të armatosur që nga viti 1979. Situata aktuale është e bazuar në luftën civile 1994-2001, gjatë së cilës Mujahidin (veteranët e rezistencës anti-sovjetike, shumë prej liderëve të të cilëve tani mbajnë poste publike) luftuan lëvizjen Talibane, dhe u distancuan nga sulmet e 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara
197. Sipas UNHCR-së ("Udhëzime për vlerësimin e nevojave për mbrojtje ndërkombëtare të azilkërkuesve afgane", korrik 2009, të cilat zëvendësuan ato të dhjetorit 2007), gjendja në Afganistan mund të përshkruhet si një konflikt i armatosur në rritje i shoqëruar me shkelje masive dhe serioze të të drejtave të njeriut. Qeveria dhe aleatët e tyre ndërkombëtarë janë venë përballë grupeve të kryengritësve, përfshirë Talebanët, të Hezb-e Eslami dhe Al-Kaedën. Një sërë grupesh të armatosura, të ligjshme dhe të paligjshme si dhe grupet e organizuara kriminale gjithashtu luajnë një rol të rëndësishëm në konflikt. Pavarësisht përpjekjeve për reforma, Afganistani po përballet ende me korrupsion të përhapur, mungesë të një procesi të duhur dhe një administrim joefektiv të drejtësisë. Shkeljet e të drejtave të njeriut rrallë janë trajtuar apo korrigjuar nga sistemi i drejtësisë dhe mosndëshkimi vazhdon të jetë i përhapur. Forcimi progresiv i konservatorizmit fetar ushtron presion mbi Qeverinë dhe Parlamentin në kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore.
198. Në dokumentin e lartpërmendur, UNHCR-ja pohon se shumica e luftimeve zhvillohen ende në pjesën jugore dhe juglindore të vendit. Në jug, krahinat e Helmand dhe Kandahar, fortesa të Talebanëve, janë skena të luftimeve të ashpra. Konflikti i ndezur në rajonet jugore, juglindore dhe lindore ka sjellë zhvendosjen e popullsisë dhe ka shkaktuar viktima të shumta civile.
199. Ka dëshmi gjithmonë e më shumë se, personat që zbatojnë apo mendojnë të se po zbatojnë projekte qeveritare dhe jo-qeveritare, si dhe organizata apo sipërmarrësit civilë që punojnë apo mendojnë se po punojnë me forcat ndërkombëtare në Afganistan përballen me një rrezik shumë të lartë të të qënit në shënjestër nga strukturat antiqeveritare.
200. Sa i përket mundësive të zhvendosjes brenda vendit, UNHCR-ja thekson se asnjë rajon i Afganistanit nuk është i sigurt dhe se edhe në qoftë se do të gjendet ndonjë, nuk mund të ishte i aksesueshëm duke qenë se shumë prej rrugëve kryesore në Afganistan janë të rrezikshme.
201. Në Kabul situata është përkeqësuar. Emigrimi për arsye ekonomike është në rritje duke bërë presion në tregun e punës dhe në burime të tilla si infrastruktura, toka dhe uji i pijshëm. Situata është përkeqësuar nga thatësira e vazhdueshme, të cilat kanë sjellë si rezultat rezultante sëmundje të lidhura me ujit. Papunësia endemike dhe nën-punësimi i kufizon njerëzit të kujdesen për nevojat e tyre themelore.
202. UNHCR përgjithësisht e konsideron zhvendosjen e brendshme si një zgjidhje alternative të arsyeshme, kur mbrojtja mund të sigurohet në zonën e zhvendosjes nga familja e personit në kuptim të gjerë, komuniteti i tyre apo fisit. Megjithatë, këto forma të mbrojtjes janë të kufizuara në rajonet ku ekzistojnë lidhjet familjare apo fisnore. Edhe në situata të tilla analiza rast pas rasti është e nevojshme, pasi lidhjet tradicionale sociale në vend po zhdukeshin si rrjedhojë e tridhjetë viteve luftë, shpërnguljeve masive të refugjatëve dhe eksodit rural në rritje.
203. Duke pasur parasysh rekomandimet e këtyre direktivave, organi përgjegjës belg për shqyrtimin e kërkesave për azil (CGRSP, shih paragrafin 131 më sipër) ka deklaruar në një dokument të shkurtit 2010 të titulluar "Politikat e Komisariatit të Përgjithshëm për Refugjatët dhe Personat pa Shtetësi në lidhje me Azilkërkuesit Afganë" se, ata kanë ofruar mbrojtje për një numër të madh të azilkërkuesve nga rajonet afgane veçanërisht të rrezikshme.
E DREJTA
204. Në rrethanat e çështjes, Gjykata vlerëson të përshtatshme për të shqyrtuar më parë pretendimet e kërkuesit kundër Greqisë dhe pastaj ato kundër Belgjikës
I. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIT 3 TË KONVENTËS NGA GREQIA PËR SHKAK TË KUSHTEVE TË NDALIMIT TË KËRKUESIT
205. Kërkuesi pretendoi se kushtet e ndalimit të tij në aeroportin ndërkombëtar të Athinës përbënin trajtim çnjerëzor dhe poshtërues sipas kuptimit të nenit 3 të Konventës, i cili parashikon:
“Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës ose dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese..”
A. Parashtrimet e palëve
1. Kërkuesi
206. Kërkuesi u ankua për dy periudhat e ndalimit - e para nga 15-18 qershor 2009, pas mbërritjes së tij në aeroportin ndërkombëtar të Athinës, dhe e dyta, nga 01-07 gusht 2009, pas arrestimit të tij në aeroport. Ai pretendoi se kushtet e ndalimit në qendrën pranë aeroportit ndërkombëtar të Athinës ishin aq të tmerrshme sa përbënin trajtim çnjerëzor dhe poshtërues. Kërkuesi përshkroi kushtet e tij të paraburgimit si vijon: ai kishte qenë i mbyllur në një dhomë të vogël me njëzet persona të tjerë, lejoheshin të shkonin në tualete vetëm kur rojet ua lejonin, nuk ishin lejuar jashtë në ajër të hapur, u ishte dhënë shumë pak për të ngrënë dhe kishte fjetur në një dyshek të pistë, ose në dyshemenë e zhveshur. Ai më tej pretendoi se gjatë periudhës së dytë të ndalimit ishte rrahur nga rojet.
2. Qeveria Greke
207. Qeveria kundërshtoi se ishin shkelur të drejtat e kërkuesit sipas nenit 3 gjatë ndalimit të tij. Kërkuesi nuk kishte paraqitur asnjë provë që ai i ishte nënshtruar trajtimit çnjerëzor ose poshtërues.
208. Në kundërshtim me përshkrimin e dhënë nga kërkuesi, Qeveria e përshkroi qendrën e ndalimit si një qendër të pajisur në mënyrë të përshtatshme për qëndrim afatshkurtër, e projektuar posaçërisht për azilkërkuesit, ku ushqeheshin në mënyrë adekuate.
209. Në vëzhgimet e tyre në përgjigje të pyetjeve të parashtruara nga ana e Gjykatës gjatë seancës para Dhomës së Madhe, Qeveria dha informacion më të detajuar në lidhje me paraqitjen dhe pajisjet e qendrës. Ajo kishte një seksion të rezervuar për azilkërkuesit, të përbërë nga tri dhoma, dhjetë shtretër dhe dy tualete. Azilkërkuesit ndanin një dhomë të përbashkët me njerëz në pritje të dëbimit, dhe kishin një telefon publik dhe një rubinet me ujë të rrjedhshëm. Kërkuesi ishte mbajtur atje në qershor 2009 në pritje të marrjes së kartës së tij rozë.
210. Qeveria deklaroi se në gusht 2009 kërkuesi ishte mbajtur në një seksion të qendrës, të veçantë nga ajo e rezervuar për azilkërkuesit, e projektuar për të huajt që kishin kryer vepër penale. Personat në fjalë kishin një sipërfaqe prej 110 m2, e cila përmban nëntë dhoma dhe dy tualete. Kishin edhe një telefon publik dhe një rubinet me ujë të rrjedhshëm.
211. Së fundi, qeveria theksoi se kohëzgjatja e shkurtër të periudhave të ndalimit dhe rrethanat e periudhës së dytë, e cila kishte rezultuar jo nga aplikimi i kërkuesit për azil, por nga vepra penale që kishte kryer në përpjekje për të lënë Greqinë me dokumente false.
B. Vëzhgimet e Komisionerit të Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut dhe Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, si palë të treta ndërhyrëse në proces
212. Komisioneri deklaroi se ai ishte informuar nga Médecins sans Frontières - Greqi (shih paragrafin 166 më sipër) për kushtet e burgimit në qendrën afër aeroportit.
213. UNHCR ka vizituar qendrën në maj 2010 dhe vërejti se kushtet e ndalimit atje ishin të papranueshme, mungonte ajri i pastër, nuk kishte mundësi të shëtitje në ajër të hapur dhe mungonin tualetet në qeli.
C. Vlerësimi i Gjykatës
1. Pranueshmëria
214. Gjykata vlerëson se pretendimet e kërkuesit sipas nenit 3 të Konventës në lidhje me kushtet e ndalimit të tij në Greqi ngrenë çështje komplekse të ligjit dhe fakteve, përcaktimi i të cilave kërkon një shqyrtim në themel të kërkesës.
215. Gjykata konstaton se kërkesa nuk është haptazi e pabazuar në kuptim të nenit 35 § 3 të Konventës. Ajo më tej konstaton se nuk është e papranueshme për ndonjë arsye tjetër dhe e deklaron atë të pranueshme.
2. Themeli
(a) Përmbledhje e parimeve të përgjithshme
216. Gjykata rithekson se burgosja e të huajve, e shoqëruar me masa mbrojtëse të përshtatshme për personat në fjalë, është e pranueshme vetëm që Shtetet të parandalojnë emigracionin e paligjshëm ndërkohë që respektojnë detyrimet e tyre ndërkombëtare, në veçanti në bazë të Konventës së Gjenevës 1951 në lidhje me Statusin e Refugjatëve dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Shqetësimi legjitim i Shteteve për parandalimin e përpjekjeve gjithnjë e më të shpeshta për të anashkaluar kufizimet e emigracionit nuk duhet të privojë azilkërkuesit nga mbrojtja e garantuar nga këto konventa (shih Amuur kundër Francës, 25 qershor 1996, § 43, Raportet e vendimeve 1996-III).
217. Ku Gjykata thirret për të shqyrtuar përputhshmërinë e mënyrës dhe metodës së ekzekutimit të masave me dispozitat e Konventës, ajo duhet të analizojë situatat e veçanta të personave në fjalë (shih Riad dhe Idiab kundër Belgjikës, nr. 29.787/03 dhe 29810/03, §100, ECHR 2008- ... (ekstrakte)).
218. Shtetet duhet t’i japin rëndësi të veçantë nenit 3 të Konventës, i cili mishëron një nga vlerat më themelore të shoqërive demokratike dhe ndalon në mënyrë absolute torturën dhe trajtimin çnjerëzor ose poshtërues apo ndëshkimin pavarësisht nga rrethanat dhe sjellja e viktimës (shih, ndër të tjera, Labita kundër Italisë [GC], nr. 26772/95, § 119, ECHR 2000-IV).
219. Jo të gjitha llojet e keqtrajtimit merren në shqyrtim sipas qëllimit të nenit 3. Gjykata në çështje të shumta e ka bërë të qartë se keqtrajtimi duhet të mbartë në vetvete një nivel minimal të shkallës së ashpërsisë nëse duhet shqyrtuar në bazë të qëllimit të nenit 3. Përcaktimi i këtij niveli minimal është relativ, pasi varet nga të gjitha rrethanat e rastit, të tilla si kohëzgjatja e trajtimit dhe pasojat fizike dhe mendore të keqtrajtimit dhe, në disa raste gjinia, mosha dhe gjendja shëndetësore e viktimës (shih për shembull, Kudla kundër Polonisë [GC], nr. 30210/96, § 91, ECHR 2000-XI).
220. Gjykata e konsideron një trajtim të jetë "çnjerëzor", kur ai ka qenë "i paramenduar, është zbatuar për orë të tëra me radhë dhe ka shkaktuar dëmtime të dukshme trupore ose vuajtje intensive fizike ose mendore”.
Trajtimi është konsideruar të jetë "poshtërues" kur ai ka për qëllim të poshtërojë ose përulë një person, duke treguar një mungesë të respektit dhe fyerje për dinjitetin e tij apo të saj, dhe konsiderohet se shkakton tek viktima ndjenja frike, ankthi apo inferioritetit që çojnë në thyerjen e rezistencës së tij apo të saj morale dhe fizike (shih po aty, § 92, dhe gjithashtu Pretty kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 2.346 / 02, § 52, ECHR 2002-III). Mungesa e kryerjes së këtij trajtimi në sytë e të tjerëve nuk parandalon faktin që një trajtim i tillë të mos i përkasë kësaj kategorie (shih, midis të tjerash, Tyrer kundër Mbretërisë së Bashkuar, 25 prill 1978, § 32, Seria A nr. 26). Së fundi, edhe pse duhet të merret parasysh nëse qëllimi i një trajtimi të tillë ishte poshtërimi apo përulja e viktimës, mungesa e një qëllimi të tillë nuk mund të përjashtojë përfundimisht konstatimin e shkeljes së nenit 3 (shih Peers kundër Greqisë, nr. 28524/95, § 74, GJEDNJ 2001-III).
221. Neni 3 i Konventës kërkon që Shteti të garantojë që kushtet e ndalimit të jenë në përputhje me respektin për dinjitetin njerëzor, mënyra dhe metoda e ekzekutimit të masës të mos shkaktojnë ndjenjë ankthi apo vështirësi në një intensitet që tejkalon nivelin e pashmangshëm të vuajtjeve normale të ndalimit dhe se, duke marrë parasysh kërkesat praktike të burgimit, shëndeti dhe mirëqenia e tyre duhet të sigurohet në mënyrë adekuate (shih, për shembull, Kudla, cituar më lart, § 94).
222. Gjykata është shprehur se izolimi i një azilkërkuesi në një kabinë të parafabrikuar për dy muaj pa e lejuar të dalë jashtë, apo të bëjë një thirrje telefonike, dhe mungesa e çarçafëve të pastër dhe pamjaftueshmëria e produkteve higjienike përbën trajtim poshtërues brenda kuptimit të nenit 3 të Konventës (shih S.D kundër Greqisë, nr. 53541/07, §§ 49-54, 11 qershor 2009). Në mënyrë të ngjashme, një periudhë ndalimi prej gjashtë ditësh, në një hapësirë të mbyllur, pa pasur mundësi për të dalë shëtitje, mungesa e kushteve për të kaluar kohën e lirë, dhe fjetja në dyshekë të pistë dhe pa akses të lirë në tualet është e papranueshme në lidhje me nenin 3 (ibid, § 51). Ndalimi i një azilkërkuesi për tre muaj në qendrat policore në pritje të zbatimit të një mase administrative, pa asnjë mundësi për ushtrimin aktiviteteve rikrijuese dhe pa ushqimet e duhura është gjithashtu konsideruar si trajtim poshtërues (shih Tabesh kundër Greqisë, nr. 8.256 / 07 , §§ 38-44, 26 nëntor 2009). Së fundi, Gjykata ka vendosur se ndalimi i kërkuesit, i cili ishte gjithashtu një azilkërkues, për tre muaj në një vend të mbipopulluar në kushte dëshpëruese të higjienës dhe pastërtisë, pa kushte për kalimin e kohës së lirë apo ambiente të përshtatshme ku mund të hahej, ku objektet sanitare, të cilat janë në gjendje që praktikisht nuk mund as të riparohen, janë të papërdorshme dhe ku të paraburgosurit flinin në kushte jashtëzakonisht të ndotura dhe të mbingarkuara me njerëz çonin në trajtim poshtërues të ndaluar sipas nenin 3 (shih A.A kundër Greqisë, nr. 12186/08, §§ 57-65, 22 korrik 2010).
(b) Zbatimi në rastin konkret
223. Gjykata vëren së pari se Shtetet të cilat formojnë kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian janë duke përjetuar vështirësi të konsiderueshme në përballimin e fluksit në rritje të emigrantëve dhe azilkërkuesve. Situata është përkeqësuar nga transferimet e azilkërkuesve nga Shtetet e tjera Anëtare në zbatim të Rregullores së Dublinit (shih paragrafët 65-82 më lart). Gjykata nuk nënvlerëson barrën dhe presionin e kësaj situate në Shtetet në fjalë, marrë parasysh dhe kontekstin e krizës së tanishme ekonomike në të cilën ndodhen. Ajo është veçanërisht e vetëdijshme për vështirësitë e përfshira në pritjen e emigrantëve dhe azilkërkuesve në ardhjen e tyre në aeroportet kryesore ndërkombëtare dhe të numrit disproporcional të azilkërkuesve krahasuar me kapacitetet e disa prej këtyre shteteve. Megjithatë, duke pasur parasysh karakterin absolut të nenit 3, Shtetet nuk mund t’i shpëtojnë detyrimeve sipas kësaj dispozite.
224. Duke qenë kështu, Gjykata nuk e pranon argumentin e Qeverisë greke që, ajo duhet të marrë parasysh këto rrethana të vështira kur shqyrton pretendimet e kërkuesit sipas nenit 3.
225. Gjykata e konsideron të nevojshme të marrë parasysh rrethanat e ndalimit të kërkuesit dhe faktin se, pavarësisht asaj që Qeveria greke sugjeron, kërkuesi nuk ka profilin e një "emigrant ilegal". Përkundrazi, pas marrëveshjes së 4 qershorit 2009 për të marrë përgjegjësinë e kërkesës për azil të kërkuesit, autoritetet greke ishin të vetëdijshëm për identitetin e kërkuesit dhe faktin se ai ishte një azilkërkues potencial. Pavarësisht kësaj, ai u vu menjëherë në paraburgim, pa i dhënë asnjë shpjegim.
226. Gjykata vëren se në bazë të raporteve të ndryshme nga organet ndërkombëtare dhe organizatat jo-qeveritare (shih paragrafin 160 më sipër), ndalimi sistematik i azilkërkuesve pa i informuar ata për arsyet e ndalimit të tyre është një praktikë e përhapur e autoriteteve greke
227. Gjykata gjithashtu merr në konsideratë pretendimet e kërkuesit se kishte qenë subjekt i brutaliteteve dhe fyerjeve nga ana e policisë gjatë periudhës së tij të dytë të ndalimit. Ajo vëren se këto pohime nuk janë të mbështetura nga ndonjë dokumentacion, të tilla si një certifikatë mjekësore dhe se nuk është e mundur për të konstatuar me siguri se çfarë ka ndodhur me kërkuesin. Megjithatë, Gjykata është e detyruar edhe një herë të theksojë se, pretendimet e kërkuesit janë në përputhje me raportimet e shumta të mbledhura nga dëshmitarë nga organizatat ndërkombëtare (shih paragrafin 160 më lart). Ajo vë në dukje, në veçanti, se pas vizitës në qendrën e ndalimit afër aeroportit ndërkombëtar të Athinës në vitin 2007, Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës raportoi rastet e keqtrajtimit nga oficerët e policisë (shih paragrafin 163 më sipër)
228. Gjykata vëren se palët nuk pajtohen në lidhje me sektorët në të cilat kërkuesi u mbajt. Qeveria pretendon se ai u mbajt në dy sektorë të ndryshëm dhe se dallimi ndërmjet objekteve në të dy sektorët duhet të merret parasysh. Nga ana tjetër, kërkuesi, deklaron se u mbajt i ndaluar në kushte të njëjta pikërisht gjatë dy periudhave të ndalimit. Gjykata vëren se caktimi i të ndaluarve në një sektor apo një tjetër nuk ndjek ndonjë model të caktuar në praktikë, por mund të ndryshojë në varësi të numrit të të ndaluarve në çdo sektor (shih paragrafin 165 më lart). Rrjedhimisht ishte e mundur që, kërkuesi të ishte mbajtur i ndaluar dy herë në të njëjtin sektor. Gjykata nuk konsideron të nevojshëm mbajtjen parasysh të dallimit të bërë nga Qeveria në këtë pikë.
229. Është e rëndësishme të theksohet se, pretendimet e kërkuesit në lidhje me kushtet e jetesës në qendrën e ndalimit mbështeten nga konstatime të ngjashme nga CPT-ja (shih paragrafin 163 më lart), UNHCR (shih paragrafin 213 më lart), Amnesty International dhe Médecins sans Frontieres - Greqi (paragrafët 165 dhe 166 më lart) dhe nuk janë kontestuar tërësisht nga Qeveria.
230. Gjykata vëren se, sipas konstatimeve të bëra nga organizatat që kishin vizituan qendrën pranë aeroportit, sektori për azilkërkuesit hapej shumë rrallë dhe të ndaluarit nuk lejoheshin të merrnin ujë tek rubinetat jashtë dhe kështu ishin të detyruar për të pirë ujë nga tualetet. Në sektorin e personave të arrestuar, kishte 145 të burgosur në një hapësirë 110 m katrore. Në disa qeli kishte vetëm një shtrat për 14-17 persona. Nuk kishte dyshekë të mjaftueshëm dhe një numër i të burgosurve flinin në dyshemenë e zhveshur. Nuk kishte vend të mjaftueshëm për të gjithë të ndaluarit që të shtriheshin dhe të flinin në të njëjtën kohë. Për shkak të mbipopullimit, nuk kishte ventilim të mjaftueshëm dhe në qeli ishte një i nxehtë i papërballueshëm. Aksesi në tualete ishte shumë i kufizuar dhe të ndaluarit ankoheshin se policia nuk i lejonte ata të dilnin në korridore. Policia pranoi se të ndaluarit duhej të urinonin në shishe plastike të cilat më pas i zbraznin kur lejoheshin të përdorin tualetin. Ishte konstatuar se, në të gjithë sektorët mungonte sapun dhe letër higjienike, objektet sanitare dhe të tjera ishin të pista, tualet e dushet nuk kishin dyer dhe të ndaluarit ishin të privuar nga kryerja e ushtrimeve fizike në natyrë.
231. Gjykata rithekson se kushte të tilla, të cilat janë gjetur edhe në qendra të tjera ndalimi në Greqi, çonin në trajtim poshtërues brenda kuptimit të nenit 3 të Konventës (shih paragrafin 222 më lart). Në arritjen e këtij përfundimi, Gjykata mbajti parasysh faktin se kërkuesit ishin azilkërkues.
232. Gjykata nuk sheh ndonjë arsye për t’iu larguar atij përfundimi në bazë të argumentit të Qeverisë greke se periudhat e ndalimit të kërkuesit ishin të shkurtra. Sipas saj, kohëzgjatja e dy periudhave të ndalimit përkatësisht katër ditë në qershor 2009 dhe një javë në gusht 2009 janë të parëndësishme. Në rastin konkret Gjykata duhet të marrë parasysh se kërkuesi, duke qenë një azilkërkues, ishte veçanërisht i cenueshëm për shkak të gjithçka që ai kishte kaluar gjatë udhëtimit të tij dhe përvojat traumatike që, me shumë gjasa, kishte kaluar.
233. Përkundrazi, në dritën e informacionit të disponueshëm lidhur me kushtet në qendrën e ndalimit në afërsi të aeroportit të Athinës, Gjykata vlerëson se kushtet e ndalimit në të cilat kishte qëndruar kërkuesi ishin të papranueshme. Ajo konsideron se, të marra së bashku, ndjenja e arbitraritetit dhe ndjenja e inferioritetit dhe ankthi shpesh i lidhur me të, si dhe efekti i rëndë që kushtet të tilla të ndalimit padyshim kanë tek dinjiteti i personit, përbën trajtim poshtërues në kundërshtim me nenin 3 të Konventës. Përveç kësaj, ndenja e ankthit të kërkuesit ishin intensifikuar nga vet pozita e tij shumë e dobët si azilkërkues.
234. Kështu, Gjykata vlerëson se ka është shkelur neni 3 i Konventës.
II. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIT 3 TË KONVENTËS NGA GREQIA PËR SHKAK TË KUSHTEVE TË JETESËS SË KËRKUESIT
235. Kërkuesi pretendoi se, gjendja e varfërisë ekstreme në të cilën ai kishte jetuar pasi kishte mbërritur në Greqi përbënte trajtim çnjerëzor dhe poshtërues brenda kuptimit të nenit 3, të cituar më lart.
A. Parashtrimet e palëve
1. Kërkuesi
236. Kërkuesi pretendoi se, autoritetet greke nuk i kishin dhënë atij asnjë informacion në lidhje me strehimin e mundshëm dhe nuk i kishin ofruar atij asnjë lloj ndihme për jetesën edhe pse ata ishin të vetëdijshëm për situatën e pasigurt të azilkërkuesve në përgjithësi dhe çështjen e tij në veçanti. Ai parashtroi se nuk i ishte dhënë asnjë broshurë informative në lidhje me procedurën e azilit dhe se ai i kishte thënë autoriteteve disa here që ishte i pastrehë. Sipas tij kjo dëshmohej nga shprehja "nuk njihet vendbanimi", në njoftimin e lëshuar atij më 18 qershor 2009.
237. Kërkuesi theksoi se vetëm pasi ai kishte njoftuar policinë, më 18 dhjetor 2009 se çështja e tij ishte në pritje në Gjykatë, ata ishin përpjekur për ta akomoduar diku. Ai parashtroi se ai ishte paraqitur vetë disa herë në qendrat policore, në dhjetor dhe në fillim të janarit 2010 dhe kishte pritur për orë të tëra për të marrë një përgjigje nëse ishte gjetur ndonjë vend strehimi për të. Duke qenë se nuk iu ofrua kurrë asnjë vend për strehim ai ishte dorëzuar.
238. Pa mjetet e jetesës, ai, si shumë azilkërkues të tjerë afganë, kishte jetuar në një park në mes të Athinës për shumë muaj. Ai kaloi ditët e tij në kërkim të ushqimit. Herë pas here ai merrte ndihma materiale nga njerëzit e zonës dhe Kisha. Ai nuk kishte akses në ndonjë objekt sanitar. Gjatë natës ai kishte përjetuar frikën e përhershme ndaj sulmeve dhe grabitjeve. Ai parashtroi se gjendja e dobët që rridhte si pasojë dhe privimet materiale dhe psikologjike çonin në trajtim i cili binte në kundërshtim me nenin 3.
239. Kërkuesi pohoi se gjendja e tij e nevojës, ankthit dhe pasigurisë ishte e tillë që ai nuk kishte asnjë mundësi tjetër përveçse të largohej nga Greqia dhe të kërkonte strehim diku tjetër.
2. Qeveria Greke
240. Qeveria parashtroi se situata në të cilën kërkuesi ishte gjendur pasi ishte liruar ishte rezultat i zgjedhjeve dhe dështimeve të tij. Kërkuesi kishte zgjedhur për të investuar burimet e tij për t’u larguar nga vendi në vend që t’i përdorte për strehim. Për më tepër, ai kishte pritur deri 18 dhjetor 2009 për të deklaruar se ishte i pastrehë. Nëse ai do të kishte ndjekur udhëzimet në njoftimin e 18 qershorit 2009 dhe të shkonte në qendrën policore të Atikës më parë për të deklaruar se nuk kishte ku të qëndronte, autoritetet mund të kishin ndërmarrë hapat për t’i siguruar atij strehim. Qeveria vuri në dukje se shprehja "nuk njihet vendbanimi", në njoftimin që i ishte dhënë thjesht tregonte se ai nuk kishte informuar autoritetet për adresën e tij.
241. Pasi autoritetet ishin informuar për situatën e kërkuesit, ishin marrë hapat e nevojshme dhe tani atij i ishte gjetur një vend në një fjetore. Autoritetet nuk kishin pasur mundësi ta informonin kërkuesin për këtë, pasi ai nuk lënë asnjë adresë, ku ata mund ta kontaktonin atë. Përveç kësaj, që nga qershori 2009 kërkuesi ishte pajisur me një "kartë rozë" që i jepte të drejtë për të punuar, për trajnime profesionale, strehim dhe kujdes mjekësor, dhe e cila ishte rinovuar dy herë.
242. Qeveria argumentoi se në rrethana të tilla i takonte kërkuesit të tregonte interes në përmirësimin e jetesës së tij. Ndërkohë, megjithatë, çdo gjë që ai kishte bërë në Greqi tregonte se ai nuk kishte dëshirë për të qëndruar atje.
243. Në çdo rast Qeveria greke parashtroi se, vendimi në favor të kërkuesit do të ishte në kundërshtim me dispozitat e Konventës, asnjëra prej të cilave nuk garantonte të drejtën për strehim apo për azil politik. Një vendim i tillë do të sillte kërkesa të panumërta të ngjashme nga personat e pastrehë dhe do vendoste një detyrim të panevojshëm pozitiv mbi Shtetet në drejtim të politikave të mirëqenies. Qeveria vuri në dukje se vetë Gjykata kishte deklaruar se "ndërsa është e dëshirueshme që çdo qenie njerëzore të ketë një vend ku mund të jetojë me dinjitet dhe të cilën mund ta quajë shtëpi, për fat të keq ka shumë persona që nuk kanë shtëpi në Shtetet Kontraktuese. Nëse Shteti siguron fonde për të mundësuar që të gjithë të kenë një shtëpi është një çështje për vendim politik dhe jo gjyqësor "(Chapman kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 27238/95, § 99, ECHR 2001-I)
B. Vëzhgimet e Komisionerit të Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, Qendrës Aire dhe Amnesty International, si palë të treta ndërhyrëse në proces
244. Komisioneri theksoi se, krahasuar me numrin e kërkesave për azil të paraqitura në Greqi për çdo vit, kapacitet i pritës - i cili në shkurt të vitit 2010 arriti në njëmbëdhjetë qendra pritjeje me një total prej 741 vendesh - ishte qartësisht i pamjaftueshëm. Ai tha se situata e azilkërkuesve ishte shumë e vështirë dhe përmendi kampin e improvizuar në Patras i cili, deri në korrik të vitit 2009, kishte strehuar rreth 3000 njerëz, kryesisht irakenë dhe afganë, në kushte të papranueshme nga pikëpamja e banimit dhe standardeve të higjienës. Gjatë vizitës së tij në shkurt 2010 ai vuri në dukje se, pavarësisht zotimit të marrë nga Qeveria në vitin 2008, për ndërtimin e një qendre ku mund të strehoheshin 1000 persona, punimet nuk kishin filluar ende. Autoritetet e policisë në Patra kishin informuar se, rreth 70% e afganëve ishin regjistruar azilkërkues dhe ishin mbajtës të kartave "rozë". Ai gjithashtu iu referua rastit të tre afganëve në rajonin e Patras të cilët kishin qenë në Greqi për dy vjet, që jetonin në streha të improvizuara prej kartoni pa asnjë ndihmë nga shteti grek. Vetëm Kryqi i Kuq lokal u kishte ofruar atyre ushqim dhe përkujdesje.
245. UNHCR ndante të njëjtin shqetësim. Sipas të dhënave për vitin 2009, ka pasur dymbëdhjetë qendra pritjeje në Greqi me një kapacitet total prej 865 vendesh. Një i rritur mashkull, azilkërkues, nuk kishte praktikisht asnjë shans që t’i ofrohej një vend në një qendër pritjeje. Shumë pre tyre jetonin në hapësira publike apo shtëpi të braktisura apo ndanin shpenzimet e tepër të larta të një dhome pa asnjë mbështetje nga Shteti. Sipas një studimi të kryer nga shkurti deri në prill 2010, të gjithë azilkërkuesit "Dublin" të pyetur ishin të pastrehë. Në seancë UNHCR-ja theksoi se sa e vështirë ishte për të pasur akses në qendrën policore të Atikës - duke e bërë praktikisht të pamundur respektimin e afateve të përcaktuara nga autoritetet - për shkak të numrit të personave në pritje dhe përzgjedhjes arbitrare nga stafi i sigurisë në hyrje të ndërtesës.
246. Sipas Qendrës Aire dhe Amnesty International, situata në Greqi sot është se azilkërkuesit janë të privuar jo vetëm nga mbështetja materiale nga autoritetet por edhe nga e drejta për të siguruar nevojat e tyre. Varfëria ekstreme që rezulton nga kjo situatë duhet të konsiderohet si trajtim në kundërshtim me nenin 3 të Konventës, në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës lidhur me çështjet e varfërisë të krijuar nga veprimet e paligjshme të Shtetit.
C. Vlerësimi i Gjykatës
1. Pranueshmëria
247. Gjykata vlerëson se pretendimet e kërkuesit sipas nenit 3 të Konventës lidhur me kushtet e tij të jetesës në Greqi ngrenë çështje komplekse të ligjit dhe fakteve, përcaktimi i të cilave kërkon një shqyrtim në themel të kërkesës.
248. Gjykata konstaton se kërkesa nuk është haptazi e pabazuar në kuptim të nenit 35 § 3 të Konventës. Ajo më tej konstaton se nuk është e papranueshme për ndonjë arsye tjetër dhe e deklaron atë të pranueshme.
2. Themeli
249. Gjykata tashmë ka përsëritur parimet e përgjithshme që gjenden në jurisprudencën për nenin 3 të Konventës dhe të zbatueshme në këtë rast (shih paragrafët 216-222 më sipër). Ajo gjithashtu e konsideron të nevojshme të theksojë se neni 3 nuk mund të interpretohet si detyrim i njërit prej Palëve të Larta Kontraktuese që t’u sigurojë të gjithë personave brenda juridiksionit të tyre një shtëpi (shih Chapman, cituar më lart, § 99). Neni 3 nuk sjellë as ndonjë detyrim të përgjithshëm për t’u dhënë refugjatëve ndihmë financiare në mënyrë që ata të ruajnë një standard të caktuar jetese (shih Müslim kundër Turqisë, nr. 53566/99, § 85, 26 prill 2005).
250. Gjykata është e mendimit, megjithatë, se ajo çka diskutohet në rastin konkret nuk mund të konsiderohet në këto terma. Në ndryshim nga rasti i sipërcituar Müslim (§§ 83 dhe 84), detyrimi për të siguruar strehim dhe kushte dinjitoze jetese azilkërkuesve të varfër tashmë është bërë pjesë e së drejtës pozitive dhe autoritetet greke janë të detyruara të respektojnë legjislacionin e tyre, i cili transpozon të drejtën komunitare, përkatësisht Direktivën 2003/9 e cila përcakton standardet minimale për pritjen e azilkërkuesve në Shtetet Anëtare ("Direktiva e Pritjes" - shih paragrafin 84 më lart). Ajo për çfarë kërkuesi ankohet kundër autoriteteve greke në këtë rast është se, për shkak të veprimeve ose mosveprimeve të tyre të qëllimshme, ka qenë e pamundur në praktikë për të përfituar nga këto të drejta dhe të siguronte nevojat e tij thelbësore.
251. Gjykata i kushton rëndësi të konsiderueshme statusit të kërkuesit si azilkërkues dhe, si i tillë, anëtar i një grupi të popullsisë të disavantazhuar dhe të pambrojtur, të cilët kanë nevojë për mbrojtje të posaçme (shih, mutatis mutandis, Oršuš dhe të Tjerët kundër Kroacisë [GC], nr. 15.766/03, § 147, ECHR 2010- ...). Ajo vë në dukje ekzistencën e një konsensusi të gjerë në nivel ndërkombëtar dhe evropian në lidhje me këtë nevojë për mbrojtje të posaçme, siç dëshmohet nga Konventa e Gjenevës, mandati dhe aktivitetet e UNHCR-së dhe standardet e përcaktuara në Direktivën e Pritjes të Bashkimit Evropian.
252. Duke thënë këtë, Gjykata duhet të përcaktojë nëse një situatë e varfërisë së skajshme materiale mund të ngrejë një çështje sipas nenit 3.
253. Gjykata rithekson se nuk ka e përjashtuar "mundësinë e gjetjes së përgjegjësisë së Shtetit [sipas nenit 3] në lidhje me trajtimin ku një azilkërkues, i cili ishte tërësisht i varur në mbështetjen e shtetit, përballet me indiferencë zyrtare në një situatë të nevojës ekstreme aq të rëndë sa është e papajtueshme me dinjitetin njerëzor" (shih Budina kundër Rusisë, dhjetor, nr. 45603/05, ECHR 2009- ...).
254. Ajo vëren se situata në të cilën kërkuesi është gjendur është veçanërisht serioze. Siç e ka pohuar, ai ka kaluar muaj duke jetuar në një gjendje të varfërisë më ekstreme, në pamundësi për të përmbushur nevojat e tij më elementare: ushqim, higjienë dhe një vend për të jetuar. Për më tepër kësaj situate i shtoheshin edhe ndjenja e frikës nga sulmet dhe grabitjet dhe gjithashtu mungesa e çdo gjase që situata mund të përmirësohej. Për të shpëtuar nga kjo situatë pasigurie për nevojat materiale dhe psikologjike, azilkërkuesi u përpoq disa herë të largohej nga Greqia.
255. Gjykata, nga vëzhgimet e Komisionerit të Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut dhe UNHCR-së, si dhe raportet e organizatave jo-qeveritare (shih paragrafin 160 më lart) vëren se, situata e përshkruar nga kërkuesi është një fenomen shumë i përhapur dhe përshkruan fatin e një numri të madh të azilkërkuesve me të njëjtin profil si ai e kërkuesit. Për këtë arsye Gjykata nuk e vë në pikëpyetje vërtetësinë e akuzave të kërkuesit.
256. Qeveria greke kundërshtoi duke e cilësuar kërkuesin si përgjegjës për situatën e tij, dhe se, autoritetet kanë vepruar me gjithë kujdesin e duhur dhe se ai duhet të kishte bërë më shumë për të përmirësuar gjendjen e tij.
257. Palët nuk bien dakord mbi faktin nëse kërkuesit i ishte dhënë broshura informative për azilkërkuesit. Gjykata nuk e vlerëson të rëndësishme këtë, përderisa në broshurë nuk tregohet se azilkërkuesit mund të deklarojnë tek organet policore se janë të pastrehë dhe as nuk përmban asnjë informacion në lidhje me strehimin. Sa i përket njoftimit që i ishte dërguar kërkuesit lidhur me detyrimi për të shkuar në qendrën policore të Atikës për të regjistruar adresën e tij (shih paragrafin 35 më lart), sipas mendimit të Gjykatës formulimi i tij është i paqartë dhe nuk mund të konsiderohet në mënyrë të arsyeshme se jepte informacion të mjaftueshëm. Ajo konstaton se, kërkuesi nuk ishte informuar në mënyrë të rregullt në çdo kohë për mundësitë e akomodimit që ishin në dispozicion të tij, duke supozuar se do kishte gjetur ndonjë mënyrë strehimi.
258. Në çdo rast Gjykata nuk sheh se si autoritetet greke nuk kanë mundur të vinin re apo të mendonin se kërkuesi ishte i pastrehë në Greqi. Qeveria vetë pranoi se janë më pak se 1000 vende në qendrat e pritjes për të akomoduar dhjetëra mijëra azilkërkues. Gjykata vëren gjithashtu se, sipas UNHCR-së, është një fakt i njohur se në ditët e sotme një i rritur mashkull azilkërkues nuk ka praktikisht asnjë gjasë për të gjetur një vend në një qendër pritjeje dhe se sipas një sondazhi të kryer shkurt-prill 2010, të gjithë azilkërkuesit Dublin të pyetur nga UNHCR-ja ishin të pastrehë. Ashtu si kërkuesi, një numër i madh i tyre jetonin në parqe apo ndërtesa të braktisura (shih paragrafët 169, 244 dhe 242 më lart).
259. Edhe pse Gjykata nuk mund të verifikojë saktësinë e pretendimit të kërkuesit se ai i kishte informuar autoritetet greke për situatën e tij si i pa strehë disa herë para dhjetorit të vitit 2009, të dhënat e mësipërme në lidhje me kapacitetin e qendrave të pritjes në Greqi reduktojnë konsiderueshëm peshën e argumentit të Qeverisë se mosveprimi i kërkuesit ishte shkaku i situatës së tij. Në çdo rast, duke pasur parasysh situatën e veçantë të njohur të pasigurisë dhe cenueshmërinë në të cilën ndodhen azilkërkuesit në Greqi, Gjykata konsideron se autoritetet greke nuk duhet thjesht të kishin pritur që kërkuesi të merrte iniciativën për t’u paraqitur në qendrat policore për sigurimin e nevojave të tij thelbësore.
260. Fakti që autoritet greke kishin arritur t’i gjenin kërkuesit një vend në një qendër pritjeje nuk e ndryshonte situatën e këtij të fundit duke qenë se autoritetet nuk kishin gjetur ndonjë mënyrë për ta informuar atë për këtë fakt. Situata është edhe më shqetësuese për faktin se, ky informacion dilte në vëzhgimet e Qeverisë parashtruar në Gjykatë më 1 shkurt 2010, dhe Qeveria e informoi Dhomën e Madhe se autoritetet kishin pasur kontakt me kërkuesin më 21 qershor 2010 dhe i kishin dorëzuar atij një fletëthirrje për në gjykatë dhe nuk e kishin informuar aspak lidhur me faktin se i kishin gjetur një strehim.
261. Gjykata gjithashtu nuk arrin të shohë se çfarë përdorimi praktik mund të kishte karta rozë me të cilën ishte pajisur kërkuesi. Ligji u njeh të drejtën për t’u punësuar azilkërkuesve të cilët ishin pajisur me karta rozë, çka do e ndihmonte kërkuesin të zgjidhte vetë problemet e tij dhe të siguronte nevojat e tij bazike. Megjithatë, raportet e konsultuara tregojnë se, praktikisht aksesi në tregun e punës ishte me shumë pengesa administrative çka e bënte të mos konsiderohej si një alternativë reale (shih paragrafët 160 dhe 172 më lart). Përveç kësaj kërkuesi kishte vështirësi personale për shkak të mungesës së njohurive të gjuhës greke, mungesës së lidhjeve që mund ta ndihmonin dhe klimës në përgjithësi jo të favorshme ekonomike.
262. Së fundi, Gjykata vëren se situata për të cilën kërkuesi ankohet ka zgjatur që prej transferimit të tij në Greqi, në qershor të vitit 2009. Ajo është e lidhur me statusin e tij si një azilkërkues dhe për faktin se kërkesa e tij për azil nuk është shqyrtuar ende nga autoritetet greke. Me fjalë të tjera, Gjykata është e mendimit se, nëse autoritet greke do e kishin shqyrtuar kërkesën për azil menjëherë, mund t’ia kishin lehtësuar ndjeshëm vuajtjet kërkuesit.
263. Në dritën e sa më sipër dhe në funksion të detyrimeve të vendosura mbi autoritetet greke sipas Direktivës Evropiane të Pritjes (shih paragrafin 84 më sipër), Gjykata vlerëson se autoritetet greke nuk kanë pasur vëmendjen e duhur ndaj cënueshmërisë të kërkuesit si një azil-kërkues dhe janë përgjegjës, për shkak të mosveprimit të tyre, për situatën në të cilën ai e ka gjetur veten e tij për disa muaj, duke jetuar në rrugë, pa të ardhura apo akses në objektet sanitare, dhe pa asnjë mjet për të siguruar nevojat e tij thelbësore. Gjykata çmon se, kërkuesi ka qenë viktimë e trajtimit poshtërues në mos respektim për dinjitetin e tij dhe se kjo situatë ka ngjallur tek ai, pa dyshim, ndjenjat e ankthit, frikës apo inferioritetit të afta për ta çuar kërkuesin në dëshpërim. Ajo konsideron se, kushte të tilla të jetesës, të kombinuara me pasigurinë e zgjatur që ai kishte ndjerë dhe mungesën totale për çdo perspektivë përmirësimit të gjendjes së tij, arrijnë nivelin e ashpërsisë që kërkohet sipas nenit 3 të Konventës.
264. Ajo vijon se, për fajin e autoriteteve, kërkuesi e ka gjetur veten nënjë situatë të papajtueshme me nenin 3 të Konventës. Rrjedhimisht, ka pasur shkelje të kësaj dispozite.
III. PRETENDIMI PËR SHKELJE NGA ANA E GREQISË TË NENIT 13 I MARRË NË SHQYRTIM ME NENET 2 DHE 3 TË KONVENTËS, PËR SHKAK TË MANGËSIVE NË PROCEDURËN E AZILIT
265. Kërkuesi pretendoi se ai nuk kishte përfituar në të drejtën greke nga një mjet efektiv në lidhje me pretendimet e tij në bazë të neneve 2 dhe 3, në kundërshtim me nenin 13 të Konventës, i cili lexon si më poshtë:
Neni 13
“Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.”
266. Ai pohoi se të metat në procedurën e azilit në Greqi ishin të tilla që ai përballej me rrezikun e kthimit në vendin e tij të origjinës pa ndonjë shqyrtim të vërtetë të bazueshmërisë së kërkesës së tij për azil, në shkelje të nenit 3, të cituar më lart, dhe të nenit 2 të Konventës, i cili parashikon:
Neni 2
“1. E drejta e çdo njeriu për jetën mbrohet me ligj. Askujt nuk mund t’i merret jeta qëllimisht, me përjashtim të rastit kur zbatohet një vendim gjyqësor me vdekje, pas dënimit për një krim për të cilin ky dënim është parashikuar me ligj.
...”
A. Parashtrimet e palëve
1. Kërkuesi
267. Kërkuesi parashtroi se ai kishte lënë Afganistanin pasi ishte arratisur në përpjekje për të mbrojtur jetën e tij për shkak të kërcenimeve nga talebanët për faktin që kishte punuar si një përkthyes për trupat ndërkombëtare të forcës ajrore me bazë në Kabul. Që prej arritjes së tij në Evropë ai kishte pasur kontakte me anëtarët e familjes së tij në Afganistan,të cilët e këshillonin me forcë që të mos kthehej absolutisht në shtëpi, pasi pasiguria dhe kërcënimi i hakmarrjes ishin rritur në mënyrë të qëndrueshme.
268. Kërkuesi kërkonte që faktet të mësipërme të cilave ai i druhej të shqyrtoheshin dhe kishte aplikuar për azil në Greqi për këtë qëllim. Megjithatë, ai nuk kishte asnjë besim në funksionimin e procedurës së azilit.
269. Së pari, ai u ankua në lidhje me pengesat praktike që kishte hasur. Për shembull, ai pohoi se kurrë nuk i ishte dhënë një broshurë informative në aeroport, lidhur me procedurën e azilit, por i ishte thënë thjesht se duhej të paraqitej në qendrën e policisë së Atikës për të regjistruar adresën e tij. Ai nuk ishte paraqitur siç i ishte thënë pasi nuk kishte pasur asnjë adresë për të regjistruar. Ai kishte qenë i bindur se, të pasurit e një adresë ishte një kusht që procedura që të vihej në lëvizje. Ai më pas ishte paraqitur në disa raste, në qendrën policore, ku i ishte dashur të priste me orë të tëra, por më kot, pa asnjë perspektivë që situata e tij të sqarohej.
270. Së dyti, kërkuesi besonte se ai i kishte shpëtuar kthimit në vendin e tij vetëm për shkak të masës së ndërmjetme të kërkuar nga Gjykata për Qeverinë greke. Përveç kësaj "mbrojtjeje", ai nuk kishte asnjë garanci në këtë fazë se procedura e azilit e tij do të ndiqte kursin e saj. Edhe nëse ndodhte kështu, procedura nuk i ofronte asnjë garanci se frika për t’u kthyer në vendin e origjinës do të shqyrtohej në mënyrë serioze nga autoritetet greke. Ai pohoi se, nuk kishte mundësi të paguante për shërbimet e avokatit, dhe se nuk ishte parashikuar dhënia e asnjë ndihme juridike në këtë fazë; intervistat në shkallë të parë dihej që ishin sipërfaqësore; ai nuk do të kishte mundësi për të paraqitur një ankim përpara një organi kompetent për të shqyrtuar në themel frikën e tij për atë që e priste nëse kthehej në vendin e tij; apelimi në Gjykatën e Lartë Administrative nuk kishte efekt pezullues të menjëhershëm dhe se procedura ishte e gjatë. Sipas tij, të dhënat pothuajse jo-ekzistente të rasteve kur autoritetet greke kishin dhënë mbrojtje ndërkombëtare të çdo lloji në shkallë të parë ose në apel, tregonin se sa jo efektive ishte procedura.
2. Qeveria Greke
271. Qeveria parashtroi se kërkuesi nuk kishte vuajtur pasojat e mangësive të pretenduara në procedurën e azilit dhe për këtë arsye nuk mund të konsiderohej viktimë për qëllimet e Konventës.
272. Qëndrimi i kërkuesit duhej të merrej parasysh: ai, në shkelje të legjislacionit, nuk kishte bashkëpunuar me autoritetet dhe nuk kishte treguar asnjë interes për funksionimin normal të procedurës. Duke mos raportuar në qendrën policore të Atikës në qershor 2009, ai nuk kishte vepruar në pajtim me formalitetet për inicimin e procedurës dhe nuk kishte informuar policinë për faktin se ai nuk kishte asnjë adresë, në mënyrë që ata të mund ta njoftonin për ecurinë e procedurës përmes një mënyre tjetër. Për më tepër, ai kishte marrë identitete të ndryshme të rreme dhe u përpoq për të lënë Greqinë, ndërkohë që fshihte nga autoritetet faktin se kishte aplikuar për azil atje.
273. Qeveria deklaroi se, autoritetet greke kishin ndjekur procedurën ligjore, pavarësisht neglizhencës nga ana e kërkuesit dhe gabimeve të tij gjatë rrugës. Ata argumentuan se kjo dëshmohej veçanërisht nga fakti se kërkuesi ishte ende në Greqi dhe nuk ishte dëbuar pavarësisht situatës ku e kishte futur veten e tij duke u përpjekur për të lënë vendin në gusht 2009.
274. Në kundërshtim me parashtrimet e kërkuesit, Qeveria pretendoi se ankesat e tij ishin të pabaza. Ata pohuan se legjislacioni grek ishte në përputhje me të drejtën komunitare dhe ndërkombëtare për azilin, përfshirë edhe parimin e moskthimit. E drejta greke parashikon shqyrtimin e në themel të kërkesave për azil në lidhje me nenet 2 dhe 3 të Konventës. Azilkërkuesit i janë ofruar shërbimet të një përkthyesi në çdo fazë të procedurës.
275. Qeveria ka konfirmuar se kërkesa e azilkërkuesit ende nuk ishte shqyrtuar nga autoritetet greke, por siguroi Gjykatën se ajo do të shqyrtohej, me kujdesin e duhur në pajtim me standardet e përmendura më lart.
276. Në përputhje me nenin 13 të Konventës, azilkërkuesi i cili merr përgjigje negative, ka të drejtë t’i drejtohet për shqyrtim gjyqësor Gjykatës së Lartë Administrative. Sipas Qeverisë, një ankimin i tillë ishte një mjet efektiv që ofronte garancitë e kërkuara nga Gjykata në vendimin e saj Bryan kundër Mbretërisë së Bashkuar (22 nëntor 1995, § 47, Seria A nr. 335 A). Ata paraqitën vendime të ndryshme, në të cilën Gjykata e Lartë Administrative kishte vendosur rrëzimin e vendimit të refuzimit të kërkesës për azil për shkak se, autoritetet nuk kishin marrë në konsideratë dokumente të caktuara që i referoheshin, për shembull, rrezikut të persekutimit. Megjithatë, Qeveria vuri në dukje se, garantimi i të drejtës së azilkërkuesve të cilëve u ishte refuzuar kërkesa në shkallë të parë, për të apeluar mbi themelin e pretendimeve nuk ishte një kërkesë e Konventës.
277. Sipas Qeverisë, pretendimi lidhur me keqfunksionim e sistemit të ndihmës juridike nuk duhet të merret parasysh, sepse neni 6 nuk zbatohet për procedurat e azilit. Në të njëjtën mënyrë, çdo vonesë procedurale para Gjykatës së Lartë Administrative nuk përfshihet brenda fushëveprimit të nenit 6 të Konventës dhe për këtë arsye nuk mund të shqyrtohet nga Gjykata në rastin konkret.
278. Për më tepër, për aq kohë sa procedura e azilit nuk kishte përfunduar, azilkërkuesit nuk rrezikonin të ktheheshin në vendin e tyre të origjinës dhe mund të kërkonin, nëse ishte e nevojshme, nga Gjykata e Lartë Administrative pezullimin e ekzekutimit të një urdhri dëbimi lëshuar pas një vendimi refuzues së kërkesës për azil, i cili do të kishte efektin e pezullimin e zbatimit të masës. Qeveria parashtroi shumë vendime në mbështetje të këtij pohimi.
279. Qeveria provoi në parashtrimet e tyre me gojë para Dhomës së Madhe se, edhe në rrethanat aktuale kërkuesi nuk rrezikonte të dëbohej në Afganistan, për shkak të politikës aktuale për të mos thyer askënd prapa në vendin e tij me forcë. Kthimet e detyruara me fluturime të posaçme që kishin ndodhur në vitin 2009 kishin të bënin me shtetas pakistanezë të cilët nuk kishin aplikuar për azil në Greqi. Të vetmit shtetas afganë që ishin kthyer në Afganistan - 468 persona në 2009 dhe 296 persona në vitin 2010 – ishin dërguar në Afganistan mbi baza vullnetare si pjesë e programit të financuar nga Fondi Evropian për Kthim. Kërkuesi as nuk rrezikonte të dërgohej në Turqi, pasi duke qenë se, ai ishte transferuar në Greqi nga një Shtet tjetër Anëtar të Bashkimit Evropian, ai nuk mund të trajtohej në kuadër të marrëveshjes së ripranimit të lidhur ndërmjet Greqisë dhe Turqisë.
280. Në parashtrimet me gojë para Dhomës së Madhe, Qeveria u mbështet më tej në faktin se, kërkuesi nuk ishte paraqitur në takimin e 21 qershorit 2010 për një intervistë fillestare në 2 korrik 2010, kur kjo intervistë do të kishte qenë një mundësi për t’ua shpjeguar autoriteteve greke frikën e tij në rast se kthehej në Afganistan. Më tej, sipas Qeverisë, kërkuesi jo vetëm që nuk kishte treguar asnjë interes për procedurën e azilit, por ai nuk i kishte shteruar mjetet juridike sipas së drejtës greke në lidhje me frikën e tij për një shkelje të neneve 2 dhe 3 të Konventës.
B. Vëzhgimet e Komisionerit të Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Qendrës Aire, Amnesty International dhe Monitoruesit Grek të Helsinkit (GHM), si palë të treta ndërhyrëse në proces
281. Komisioneri, UNHCR-ja, Qendra Aire, Amnesty International dhe GHM ishin të gjithë të mendimit se legjislacioni dhe praktika aktuale në Greqi në çështjet e azilit nuk ishte në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare të mbrojtjes të së drejtave të njeriut. Ata kritikuan mungesën e informacionit të duhur, ose në fakt mungesën totale të informacionit në lidhje me procedurën e azilit, mungesën e stafit të përshtatshëm të trajnuar për të pranuar dhe proceduar kërkesat për azil, cilësinë e dobët të vendimeve të shkallës së parë për shkak të dobësive të lidhura me strukturën dhe mungesën e garancive procedurale, në veçanti ndihmën juridike dhe shërbimin e përkthyesit dhe mos-efikasitetit të mjetit ligjor të ankimit në Gjykatën Supreme Administrative për shkak të kohëzgjatjes tejet të madhe, faktit se ajo nuk kishte asnjë efekt të menjëhershëm pezullues dhe vështirësive në marrjen e ndihmës ligjore.
282. Komisioneri dhe UNHCR shprehën shqetësim serioz në lidhje me praktikën e vazhdueshme nga ana e autoriteteve greke të kthimit me forcë në Turqi, qofshin ato kthime individuale apo kolektive. Rastet që ata kishin identifikuar kishin të bënin si me persona të cilët shkonin për herë të parë në Greqi ashtu dhe me ata të regjistruar tashmë si azilkërkues.
C. Vlerësimi i Gjykatës
1. Pranueshmëria
283. Qeveria greke parashtroi se kërkuesi nuk ishte një viktimë sipas kuptimit të nenit 34 të Konventës, sepse vetë ai duhej fajësuar për situatën në të cilën e gjeti veten dhe që qëndron në bazë të kërkesës së tij dhe se ai nuk kishte vuajtur pasojat e ndonjë mangësie në procedurë. Qeveria më tej argumentoi se, kërkuesi nuk kishte shkuar në intervistën e parë në qendrën policore të Atikës më 2 korrik 2010 dhe nuk u kishte dhënë autoriteteve greke mundësinë për të shqyrtuar në themel pretendimet të tij. Kjo do të thotë se ai nuk i kishte shteruar mjetet e brendshme dhe Qeveria i kërkoi Gjykatës për të deklaruar këtë pjesë të kërkesës të papranueshme dhe ta rrëzojë atë në përputhje me nenin 35 §§ 1 dhe 4 të Konventës.
284. Gjykata vëren se pyetjet e ngritura në kundërshtimet paraprake të Qeverisë janë të lidhur ngushtë me ato që do të duhet të merren në konsideratë gjatë shqyrtimit të pretendimeve sipas nenit 13, i lexuar në lidhje me nenet 2 dhe 3 të Konventës, për shkak të mangësive të procedurës së azilit në Greqi. Për këtë arsye, ato duhet të shqyrtohet në të njëjtën kohë me themelin e kërkesës.
285. Për më tepër, Gjykata çmon se kjo pjesë e kërkesës ngre çështje komplekse të ligjit dhe faktit përcaktimi i të cilave kërkon një shqyrtim në themel të kërkesës. Ajo më tej konstaton se, nuk është haptazi e pabazuar në kuptim të nenit 35 § 3 të Konventës dhe as nuk është e papranueshme për ndonjë arsye tjetër dhe e deklaron atë të pranueshme.
2. Themeli
(a) Përmbledhje e parimeve të përgjithshme
286. Në çështjet e dëbimit të azilkërkuesve Gjykata ka shpjeguar se, ajo vetë nuk shqyrton kërkesat për azil dhe as verifikon se si Shtetet përmbushin detyrimet e tyre sipas Konventës së Gjenevës. Shqetësimi i saj kryesor është nëse ekzistojnë garancitë efektive që mbrojnë kërkuesin nga kthimi arbitrar, i drejtpërdrejtë apo jo qoftë, në vendin nga i cili ai ose ajo ka ikur (shih, midis të tjerash, T.I. kundër Mbretërisë së Bashkuar (dec. nr. 43844/98, ECHR 2000-III), dhe Müslim, cituar më lart, §§ 72-76).
287. Duke u mbështetur në nenin 1 (i cili parashikon: " Palët e Larta Kontraktuese i sigurojnë çdokujt brenda juridiksionit të tyre të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Titullin I të kësaj Konvente"), përgjegjësia kryesore për implementimin dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive të garantuara u takon autoriteteve kombëtare. Kështu, sistemi i ankimit në Gjykatë është plotësues i sistemeve kombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Ky karakter plotësues është artikuluar në nenet 13 dhe 35 § 1 të Konventës (shih Kudla kundër Polonisë [GC], nr. 30210/96, § 152, ECHR 2000-XI).
288. Siç Gjykata ka vendosur në shumë çështje, neni 13 i Konventës garanton disponueshmërinë e mjeteve, në nivel kombëtar, për respektimin e thelbit të të drejtave dhe lirive të sanksionuara në Konventë, në çfarëdo forme që mund të garantohet nga rendi i brendshëm ligjor. Pra, detyrimi që del nga nenit 13 është garantimi i një mjeti të brendshëm për trajtimin në thelb të një “kërkese të diskutueshme ”, sipas Konventës dhe të japë zgjidhjen e duhur. Shtrirja e detyrimeve të Shteteve Kontraktuese, sipas nenit 13 ndryshon në varësi të natyrës së kërkesës, megjithatë mjeti që kërkohet nga neni 13 duhet të jetë "efektiv" si në praktikë ashtu edhe në ligj (shih Kudla cituar më lart, § 157).
289. "Efektiviteti" i një "mjeti" brenda kuptimit të nenit 13 nuk varet nga siguria e një rezultati të favorshëm për kërkuesin. As "organi" i përmendur në atë dispozitë nuk duhet domosdoshmërisht të jetë një organ gjyqësor; në qoftë se nuk është një i tillë, kompetencat e tij dhe garancitë që ai ofron janë relevante në përcaktimin nëse mjeti është efektiv. Gjithashtu, edhe në qoftë se një mjet i vetëm nuk i përmbush plotësisht kërkesat e nenit 13, tërësia e mjeteve të parashikuara sipas së drejtës së brendshme mund të bëjë këtë (shih Gebremedhin [Gaberamadhien] kundër Francës, nr. 25.389 / 05, § 53, ECHR 2007-V § 53).
290. Në mënyrë që të jenë efektive, mjetet që kërkohen nga neni 13, duhet të jetë në dispozicion në praktikë ashtu edhe në ligj, në veçanti në kuptimin që përdorimi i tyre nuk duhet të pengohet në mënyrë të pajustifikueshme nga veprimet ose mosveprimet e autoriteteve të Shtetit të paditur (shih Çakiçi kundër Turqisë [GC], nr. 23657/94, § 112, ECHR 1999-IV).
291. Neni 13 kërkon garantimin e një mjeti të brendshëm që i lejon organet kompetente kombëtare të shqyrtojnë thelbin e kërkesës përkatëse sipas Konventës dhe të japin zgjidhjen e duhur, edhe pse Shtetet Kontraktuese kanë një hapësirë vlerësimi lidhur më mënyrën në të cilën ato përmbushin detyrimet e tyre sipas kësaj dispozite (shih Jabari kundër Turqisë, nr. 40035/98, § 48, ECHR 2000-VIII).
292. Vëmendje të veçantë duhet t’i kushtohet shpejtësisë së vetë mjetit korrigjues, pasi përshtatshmëria e mjetit mund të cenohet nga kohëzgjatja e tepruar e saj (shih Doran kundër Irlandës, nr. 50389/99, § 57, ECHR 2003-X).
293. Së fundi, duke pasur parasysh rëndësinë që Gjykata i jep nenit 3 të Konventës dhe natyrës së pakthyeshme të dëmit që mund të rezultojë në qoftë se rreziku i torturës ose keqtrajtimit materializohet, efektiviteti i një mjeti sipas kuptimit të nenit 13 domosdoshmërisht që kërkon një shqyrtim të hollësishëm nga një organ kombëtar (shih Shamayev dhe të Tjerët kundër Gjeorgjisë dhe Rusisë, nr. 36378/02, § 448, ECHR 2005-III), shqyrtim të pavarur dhe rigoroz të çdo pretendimi se ekzistojnë arsye të konsiderueshme për të frikën e një rreziku real të trajtimit në kundërshtim me nenin 3 (shih Jabari, cituar më lart, § 50), si dhe në veçanti një përgjigje të shpejtë (shih Bati dhe të Tjerët kundër Turqisë, nr. 33097/96 dhe 57834/00, § 136, ECHR 2004-IV (ekstrakte )); gjithashtu kërkon që personi i interesuar të ketë akses në një mjet me efekt të menjëhershëm pezullues (shih Čonka kundër Belgjikës, nr. 51564/99, §§ 81-83, ECHR 2002-I dhe Gebremedhin [Gaberamadhien], cituar më lart, § 66).
(b) Zbatimi i parimeve të mësipërme në rastin konkret
294. Me qëllim që të përcaktohet nëse neni 13 zbatohet për rastin në fjalë, Gjykata duhet të sigurohet nëse kërkuesi mund të pohojë në mënyrë të arsyeshme se kthimi i tij në Afganistan do të shkelte nenin 2 dhe 3 të Konventës.
295. Ajo vë në dukje se, kërkuesi bashkë më kërkesën paraqiti, në mbështetje të frikës së tij në lidhje me Afganistanin, kopjet e certifikatave që tregonin se ai kishte punuar si përkthyes (shih paragrafin 31 më lart). Ajo gjithashtu ka qasje në informacionet e përgjithshme rreth situatës aktuale në Afganistan dhe në Udhëzimet për Vlerësimin e Nevojave për Mbrojtje Ndërkombëtare të Azilkërkuesve nga Afganistani, publikuara nga UNHCR-ja dhe të përditësuar rregullisht (shih paragrafët 197-202 më sipër).
296. Për Gjykatën, ky informacion është dëshmi prima facie se, situata në Afganistan ka paraqitur dhe vazhdon të paraqesë pasiguri dhe kërkuesi i përket një kategorie të personave veçanërisht të ekspozuar ndaj hakmarrjes nga forcat antiqeveritare, për shkak të punës që ai kishte kryer si përkthyes për forcat ajrore ndërkombëtare. Ajo më tej thekson se, serioziteti i situatës në Afganistan dhe rreziqet që ekzistojnë nuk janë kontestuar nga palët. Përkundrazi, Qeveria Greke deklaroi se politika tyre aktuale është për mos kthimin me forcë në atë vend pikërisht për shkak të situatës të rrezikut të lartë që ekziston atje.
297. Për sa më sipër, gjykata arrin në përfundimin se, kërkuesi ka një kërkesë të arsyetuar sipas nenit 2 ose nenit 3 të Konventës.
298. Kjo nuk do të thotë se, në rastin konkret Gjykata duhet të vendosë nëse kthimi i kërkuesit do të sillte shkeljen e këtyre dispozitave. U takon autoriteteve greke, në vend të parë, të cilat kanë përgjegjësi për çështjet e azilit, për të shqyrtuar kërkesën e azilkërkuesit dhe dokumentet e paraqitura prej tij dhe të vlerësojnë rreziqet ndaj të cilave ai do të ekspozohet në Afganistan. Shqetësimi kryesor i Gjykatës është nëse ekzistojnë garanci efektive në rastin konkret, për të mbrojtur kërkuesin kundër kthimit arbitrar të drejtpërdrejtë ose jo, në vendin e tij të origjinës.
299. Gjykata vëren se, legjislacioni grek, bazuar në standardet e së drejtës komunitare në lidhje me procedurën e azilit, përmban një numër garancish të krijuara për të mbrojtur azilkërkuesit nga kthimi në vendet nga të cilat ata janë larguar pa ndonjë shqyrtim të bazueshmërisë së frikës së tyre (shih paragrafët 99-121 lart). Ajo vë në dukje garancinë e shprehura nga Qeverisë se, kërkesa e azilkërkuesit do të shqyrtohet në përputhje me ligjin.
300. Gjykata vëren, megjithatë, se prej disa vitesh UNHCR-ja dhe Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, si dhe shumë organizata ndërkombëtare jo-qeveritare, kanë raportuar në mënyrë të përsëritur dhe të vazhdueshme se legjislacioni grek nuk zbatohet në praktikë dhe se procedura e azilit paraqet mangësi të mëdha strukturore të tilla që azilkërkuesit të kenë shumë pak shanse që kërkesat e tyre dhe ankimet sipas Konventës, të shqyrtohen në mënyrë serioze nga autoritetet greke, dhe se në mungesë të një mjeti efektiv, në fund të ditës ata nuk janë të mbrojtur kundër largimit arbitrare dhe kthimit në vendet e tyre të origjinës (shih paragrafët 160 dhe 173-195 më sipër).
301. Gjykata vëren, së pari, të metat në aksesin në procedurën e azilit dhe në shqyrtimin e kërkesave për azil (shih paragrafët 173-188 më sipër): informacioni i pamjaftueshëm për azilkërkuesit rreth procedurave që duhet të ndiqen, aksesi i vështirë në qendrën policore të Atikës, nuk ka sistem të besueshëm të komunikimit ndërmjet autoriteteve dhe azilkërkuesve, mungesa e përkthyesve dhe mungesa e trajnimit të stafit përgjegjës për kryerjen e intervistave individuale, mungesa e ndihmës juridike që efektivisht i privon azilkërkuesit nga këshillimi ligjor, dhe vonesat në vendimmarrje. Këto mangësi rëndojnë si mbi azilkërkuesit që shkojnë në Greqi për herë të parë si edhe ata që kthehen atje në zbatim të Rregullores së Dublinit.
302. Gjithashtu, Gjykata është e shqetësuar në lidhje me rezultatet e sondazheve të ndryshme të kryera nga UNHCR-ja, të cilat tregojnë se pothuajse të gjitha vendimet e shkallës së parë janë negative dhe të hartuara në një mënyrë stereotipike, pa dhënë detaje lidhur me arsyet e refuzimit (shih paragrafin 184 më lart). Përveç kësaj, roli mbikëqyrës i luajtur nga komitetet këshilluese refugjatëve në shkallë të dytë është hequr dhe UNHCR nuk merr më pjesë në procedurën e azilit (shih paragrafët 114 dhe 189 më lart).
303. Qeveria pretendoi se çfarëdo mangësish që mund të ekzistojnë në procedurën e azilit, nuk kishin cenuar aspak situatën e veçantë të kërkuesit.
304. Gjykata vëren në lidhje me këtë se, kërkuesi pretendon se nuk ka marrë asnjë informacion në lidhje me procedurat që duhet të ndiqen. Pa dashur të vërë në pikëpyetje mirëbesimin e qeverisë në lidhje me parimin e vënies në dispozicion të broshurave informative në aeroport, Gjykata i jep më shumë peshë versionit të kërkuesit për shkak se versioni i tij vërtetohet nga një numër shumë i madh raportimesh të mbledhura nga dëshmitarët e tjerë nga ana e Komisionerit, UNHCR-së dhe organizatave të ndryshme joqeveritare. Sipas mendimit të Gjykatës, mungesa e aksesit në informacionin lidhur me procedurat që duhet të ndiqen, në mënyrë të qartë është një pengesë e madhe në ndjekjen e këtyre procedurave.
305. Qeveria gjithashtu kritikoi kërkuesin për mosvënien në lëvizje të procedurës duke shkuar në qendrën policore të Atikës brenda afatit kohor të përcaktuar në njoftim.
306. Lidhur me këtë pikë Gjykata vëren së pari se, afati tre ditor që i ishte dhënë kërkuesit ishte shumë i shkurtër duke marrë parasysh se sa e vështirë ishte për të pasur akses në qendrën e policisë në fjalë .
307. Gjithashtu, duhet të thuhet se kërkuesi nuk ishte i vetmi që e kishte keqinterpretuar njoftimin dhe se shumë azilkërkues nuk shkonin në qendrën policore, sepse ata nuk kishin asnjë adresë për të deklaruar.
308. Për më tepër, edhe në qoftë se kërkuesi do ta kishte marrë broshurën informative, Gjykata mendon se, teksti është shumë i paqartë, sa i përket qëllimit të thirrjes (shih paragrafin 112 më sipër), dhe se askund nuk thuhet se azilkërkuesi mund të informojë qendrën policore të Atikës se ata nuk kanë adresë në Greqi, në mënyrë që të mbahen të informuar përmes rrugëve të tjera.
309. Në këto kushte Gjykata vlerëson se, Qeveria vështirë se mund të mbështetet në dështimin e kërkuesit për të përmbushur këtë formalitet dhe se ata duhet të kishin propozuar një mjet të besueshëm të komunikimit me kërkuesit në mënyrë që ai të mund të ndiqte procedurën në mënyrë efektive.
310. Më tej, Gjykata vëren se palët bien dakord që kërkesa për azil e kërkuesit ende nuk është shqyrtuar nga autoritetet greke.
311. Sipas Qeverisë, kjo situatë vjen për shkak të faktit se kërkuesi nuk ishte paraqitur në takim më 2 korrik 2010 për t’u intervistuar nga komisioni këshillues i refugjatëve. Qeveria nuk e ka shpjeguar ndikimin e mos paraqitjes në atë intervistë në ecurinë e procedurave të brendshme. Pavarësisht, kërkuesi e informoi Gjykatën, përmes avokatit të tij, se njoftimi i ishte dhënë atij në greqisht, kur ai kishte rinovuar kartën e tij rozë, dhe se përkthyesi nuk kishte përmend ndonjë datë për intervistë. Edhe pse nuk është në një pozicion që mund të verifikojë vërtetësinë e kësaj çështjeje, Gjykata i jep më shumë peshë përsëri versionit të kërkuesit, që reflekton mungesën serioze të informacionit dhe komunikimit për azilkërkuesit.
312. Në këto kushte Gjykata nuk ndan të njëjtën pikëpamje me qeverinë se, kërkuesi me veprimet e tij, nuk arriti t’u japë një mundësi autoriteteve vendase për të shqyrtuar në themel ankesat e tij dhe se ai nuk është prekur nga mangësitë në procedurën e azilit.
313. Gjykata konstaton deri tani se, autoritetet greke nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për të komunikuar me kërkuesin apo për të marrë ndonjë vendim për rastin e tij, duke mos i ofruar atij asnjë mundësi reale dhe të përshtatshme për të mbrojtur kërkesën e tij për azil. Për më tepër, Gjykata merr parasysh normën jashtëzakonisht të ulët të dhënies së azilit apo mbrojtjes plotësuese, nga autoritetet greke në krahasim me vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian (shih paragrafët 125-126 më sipër). Rëndësia që u duhet dhënë statistikave padyshim që ndryshon sipas rrethanave, por sipas mendimin të Gjykatës, në rastin konkret ato kanë tendencë për të forcuar argumentin e kërkuesit lidhur me humbjen e besimit në procedurën e azilit.
314. Gjykata nuk është bindur nga shpjegimet e Qeverisë greke në lidhje me politikën e kthimit në Afganistan të organizuar në baza vullnetare. Ajo nuk mund të injorojë faktin se kthimet me forcë nga Greqia drejt vendeve me rrezik të lartë janë denoncuar rregullisht nga palët e treta ndërhyrëse dhe në disa prej raporteve të konsultuara nga ana e Gjykatës (shih paragrafët 160, 192 dhe 282).
315. Një shqetësim po kaq i madh për Gjykatën është edhe rreziku që praktikisht kërkuesi mund të ishte kthyer përpara se të merrej ndonjë vendim mbi themelin e çështjes së tij. Kërkuesi i shpëtoi dëbimit në gusht 2009, pasi u zbatua DP nr. 90/2008 (shih paragrafët 43-48 dhe 120 më lart). Megjithatë, ai pohoi se, mezi i kishte shpëtuar një përpjekje të dytë nga ana e policisë për ta dëbuar atë në Turqi. Fakti që kërkuesi në dy raste ishte përpjekur për të lënë Greqinë nuk ishin në disfavorin e tij duke marrë parasysh sjelljen e autoriteteve greke në lidhje me Konventën dhe faktin që kërkuesi ishte përpjekur për të gjetur një zgjidhje për situatën të cilën Gjykata e konsideron në kundërshtim me neni 3 (shih paragrafët 263 dhe 264 më lart).
316. Gjykata më tej duhet të shqyrtojë nëse, siç Qeveria deklaron, një kërkesë në Gjykatën e Lartë Administrative për shqyrtim gjyqësor të një refuzimi të mundshëm të kërkesës për azil mund të konsiderohet si një mjet që i garanton kërkuesit mbrojtje ndaj kthimit në mënyrë arbitrare.
317. Së pari Gjykata do të shqyrtojë nëse, siç Qeveria ka pohuar, edhe pse një kërkesë e tillë për shqyrtim gjyqësor të vendimit refuzues të një kërkesë për azil nuk ka efekt të menjëhershëm pezullues, ankimi kundër një urdhri largimi të lëshuar pas vendimit të refuzimit të kërkesës për azil në mënyrë të menjëhershme pezullon zbatimin e urdhrit.
318. Megjithatë, Gjykata rithekson se, aksesi në praktikë ndaj një mjeti ankimor është vendimtar kur vlerëson efektivitetin e tij. Gjykata ka vërejtur tashmë se autoritetet greke nuk kishin ndërmarrë hapa për të vendosur komunikimin ndërmjet autoriteteve kompetente dhe kërkuesit. Ky fakt, i kombinuar me keqfunksionimin e procedurës së njoftimit në lidhje me "personat të cilëve nuk u njihet adresa", të raportuar nga Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut dhe UNHCR-ja (shih paragrafin 187 më sipër), e bën shumë të pasigurt faktin nëse kërkuesi do të mund të mësonte vendimin e marrë për kërkesën e tij për azil në kohë, në mënyrë që të reagonte brenda afatit të kërkuar.
319. Përveç kësaj, edhe pse kërkuesi qartazi nuk ka mundësi financiare për të përballuar një avokat, ai nuk ka marrë asnjë informacion në lidhje për organizata të cilat ofrojnë këshilla dhe udhëzime ligjore. Për t’i shtuar kësaj situate edhe mungesën e avokatëve në listën e hartuar për sistemin e ndihmës juridike (shih paragrafët 191 dhe 281 më lart), çka e bën sistemin joefektiv në praktikë. Në kundërshtim me parashtrimet e Qeverisë, Gjykata vlerëson se, kjo situatë mund të jetë gjithashtu një pengesë për të pasur akses në mjetin ankimor dhe bie brenda fushëveprimit së nenit 13, veçanërisht kur bëhet fjalë për azilkërkuesit.
320. Së fundi, Gjykata nuk ndan të njëjtin këndvështrim me Qeverinë lidhur me atë që, kohëzgjatja e procesit para Gjykatës së Lartë Administrative është e parëndësishme për qëllimet e nenit 13. Gjykata ka theksuar tashmë rëndësinë e veprimit të shpejtë në rastet lidhur me keqtrajtimin nga agjentët e Shtetit (shih paragrafin 293 më lart). Përveç kësaj, ajo konsideron se një veprim i tillë i shpejtë është akoma më i nevojshëm, kur, si në rastin në fjalë, personi që ka depozituar një kërkesë në bazë të nenit 3 në rast të dëbimit të tij, nuk ka asnjë garanci procedurale që kërkesa e tij do të shqyrtohet në themel me seriozitetin e duhur në shkallë të parë, statistikisht nuk ka asnjë shans në praktikë për t’iu ofruar ndonjë formë mbrojtjeje dhe jeton në një gjendje të pasigurisë që sipas Gjykatës është në kundërshtim me nenin 3. Rrjedhimisht Gjykata konsideron se informacioni i dhënë nga Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut në lidhje me kohëzgjatjen e procedurave (shih paragrafin 190 më sipër), që Qeveria nuk e ka kundërshtuar, është dëshmi se një ankim në Gjykatën e Lartë Administrative nuk kompenson mungesën e garancive lidhur me shqyrtimin në themel të kërkesave për azil.
(c) Përfundime
321. Në dritën e sa më sipër, kundërshtimet paraprake të ngritura nga Qeveria greke (shih paragrafin 283 më lart) nuk mund të pranohen dhe Gjykata konstaton se ka pasur shkelje të nenit 13 të Konventës të marrë shqyrtim në lidhje me nenin 3, për shkak të mangësive në shqyrtimin nga ana e autoriteteve greke të kërkesës për azil nga kërkuesi dhe rrezikut që ai do përballte nëse kthehej direkt ose indirekt në vendin e tij të origjinës, pa ndonjë shqyrtim serioz të bazueshmërisë së kërkesës së tij për azil dhe pa pasur akses në një mjet efektiv.
322. Duke pasur parasysh konstatimin e mësipërm dhe rrethanat e çështjes, Gjykata çmon se nuk është e nevojshme shqyrtimi i kërkesës të paraqitur sipas nenit 13 të marrë në lidhje me nenin 2.
IV. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENEVE 2 DHE 3 TË KONVENTËS NGA ANA E BELGJIKËS PËR SHKAK TË EKSPOZIMIT TË KËRKUESIT NDAJ RREZIQEVE QË RRJEDHIN NGA MANGËSITË NË PROCEDURËN E AZILIT NË GREQI
323. Kërkuesi pretendoi se, me dërgimin e tij në Greqi sipas Rregullores së Dublinit, kur ata ishin të vetëdijshëm për mangësitë në procedurën e azilit në Greqi dhe nuk e kishin vlerësuar rrezikun që ai do ballafaqonte, autoritetet belge kishin dështuar në përmbushjen e detyrimeve të tyre sipas neneve 2 dhe 3 të Konventës, cituar më lart.
A. Parashtrimet e palëve
1. Kërkuesi
324. Kërkuesi parashtroi se, në kohën e dëbimit të tij autoritetet belge kishin pasur dijeni për mangësi të procedurës së azilit në Greqi dhe se, kërkesa e tij për azil kishte pak shanse për t’u marrë në shqyrtim seriozisht nga autoritetet greke duke e vënë atë përballë rrezikut të kthimit në vendin e tij të origjinës. Përveç raporteve të shumta ndërkombëtare tashmë të botuara në kohën e dëbimit të tij, avokati i tij e kishte shpjeguar në mënyrë të qartë situatën në lidhje me shkeljen sistematike të të drejtave themelore të azilkërkuesve në Greqi. Ai e kishte bërë këtë në mbështetje të ankimit drejtuar Këshillit të Mosmarrëveshjeve për të Huajt më 29 maj 2009 dhe të ankimit drejtuar Dhomës së Aktakuzave të Gjykatës së Apelit të Brukselit më 10 qershor 2009. Kërkuesi e konsideron argumentin e autoriteteve belge se ai nuk mund të pretendojë të ketë qenë viktimë e mangësive në sistemin e azilit grek para se të arrinte në Belgjikë, si të pavend. Për më tepër provat formale të kësaj nuk mund të paraqiten in abstracto dhe para se rreziku të ishte materializuar, ndaj autoritetet belge duhet të kishin marrë në konsideratë situatën e përgjithshme dhe të mos rrezikonin duke e kthyer.
325. Sipas mendimit të kërkuesit, në përputhje edhe me përfundimet në çështjen e T.I (dec., cituar më lart). Zbatimi i Rregullores së Dublinit nuk i çliron autoritetet belge nga detyrimi për të verifikuar nëse ekzistonin garancitë e mjaftueshme kundër kthimit nga autoritetet greke mbajtur parasysh mangësitë në procedurën ose politikën e kthimit direkt apo indirekt në Afganistan. Pa garanci të tilla dhe në dritën e provave të paraqitura nga kërkuesi, vetë autoritetet belge duhet të kishin verifikuar rrezikun që kërkuesit i kanosej në vendin e tij të origjinës, në përputhje me nenet 2 dhe 3 të kësaj Konvente dhe me jurisprudencën e Gjykatës (në veçanti çështjen e N.A. kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 25904/07, 17 korrik 2008). Në këtë rast, megjithatë, qeveria belge nuk kishte ndërmarrë masat verifikuese para dëbimit e tij. Përkundrazi, vendimi për dëbimin e tij ishte marrë vetëm në bazë të supozimit - me anë të pranimit të heshtur të parashikuar në Rregulloren e Dublinit - se autoritetet greke do të respektonin detyrimet e tyre, pa asnjë garanci individuale për sa i përket kërkuesit. Sipas kërkuesit ishte një praktikë sistematike e autoriteteve belge, të cilat refuzonin të zbatonin klauzolën e sovranitetit në Rregulloren e Dublinit për të mos transferuar njerëz në Greqi.
2. Qeveria Belge
326. Qeveria parashtroi se në zbatim të Rregullores së Dublinit Belgjika nuk ishte përgjegjëse për shqyrtimin e kërkesës për azil të kërkuesit, dhe si rrjedhojë nuk ishte detyra e tyre për të shqyrtuar frikën e tij për jetën dhe sigurinë e tij fizike në Afganistan. Rregullorja e Dublinit ishte hartuar me kujdesin e duhur ndaj parimit të moskthimit të mishëruar në Konventën e Gjenevës, për të drejtat themelore dhe për parimin që Shtetet Anëtare ishin vende të sigurta. Vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, mbi bazën e një analize rast pas rasti, Belgjika mund të shmanget nga zbatimi i këtyre parimeve të parashikuara në nenin 3 § 2 të Rregullores, dhe vetëm kur personi i interesuar tregon bindshëm se ai rrezikonte t’i nënshtrohej torturës ose trajtimit çnjerëzor apo poshtërues sipas kuptimit të nenit 3. Në të vërtetë, kjo qasje ishte në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës, e cila kërkonte që të ekzistonte një lidhje ndërmjet gjendjes së përgjithshme të pretenduar dhe situatës individuale të kërkuesit (si në rastet Sultani, cituar më sipër, Thampibillai kundër Holandës, nr. 61.350 / 00, 17 shkurt 2004, dhe Y. kundër Rusisë, nr. 20113/07, 4 Dhjetor 2008).
327. Qeveria belge nuk e dinte saktësisht se në çfarë rrethanash klauzola e sovranitetit ishte përdorur, pasi nuk kishte statistika të paraqitura nga Zyra për të Huajt, dhe gjithashtu kur kjo klauzolë ishte zbatuar nuk ishin dhënë arsyet për këtë vendim. Megjithatë, në mënyrë që të tregohet se ata e kanë zbatuar klauzolën e sovranitetin kur situata e ka kërkuar, Qeveria paraqiti dhjetë raste ku transferimet në vendin përgjegjës ishin pezulluar për arsye që lidheshin, logjikisht, me klauzolën e sovranitetit. Në gjysmën e këtyre rasteve Polonia ishte vendi i përgjegjës për aplikimet, në dy raste ishte Greqia dhe në raste të tjera Hungaria dhe Franca. Në shtatë raste arsyeja e dhënë ishte prania e një anëtari të familjes në Belgjikë, në dy të tjera, problemet shëndetësore të personit, dhe rasti i fundit lidhej me një të mitur. Në rastin e kërkuesit Belgjika kishte asnjë arsye për të zbatuar klauzolën dhe asnjë informacion që tregonte se ai kishte qenë personalisht viktimë e trajtimit të ndaluar nga neni 3 në Greqi. Përkundrazi, ai nuk kishte deklaruar në Zyrën për të Huajt se kishte braktisur aplikimin e tij për azil dhe as nuk kishte parashtruar ankesat kundër Greqisë. Në të vërtetë, edhe vetë Gjykata nuk e kishte konsideruar të nevojshme për të kërkuar marrjen e një masë të ndërmjetme nga Qeveria belge për të pezulluar transferimin e kërkuesit.
328. Megjithatë, Qeveria vuri në dukje se urdhri për t’u larguar nga vendi ishte lëshuar duke qenë të sigurt se kërkuesi nuk do të kthehej në Afganistan pa një shqyrtim në themel të ankimit të tij nga autoritetet greke. Lidhur me aksesin në procedurën e azilit dhe zhvillimin e kësaj procedure, Qeveria u mbështet mbi deklarimin nga autoritetet greke që kishin pranuar më në fund përgjegjësinë, si dhe mbi informacionin e përgjithshëm që përmbanin dokumentet përmbledhës të hartuara nga autoritetet greke dhe në vëzhgimet që Greqia kishte paraqitur në Gjykatë në raste të tjera në shqyrtim e sipër. Autoritetet belge kishin vënë re, bazuar në këtë informacion, se në qoftë se një i huaj paraqiste një kërkesë për azil në Greqi, themeli i kërkesës do të shqyrtohej mbi baza individuale, azilkërkuesi mund të asistohej nga një avokat dhe një përkthyes do të ishte i pranishëm në çdo fazë të procedimit. Mjetet juridike gjithashtu ekzistonin, duke përfshirë edhe ankimin në Gjykatën e Lartë Administrative. Prandaj, edhe pse të vetëdijshëm për të metat e mundshme të sistemit të azilit në Greqi, Qeveria parashtroi se, ata kishin qenë të bindur për përpjekjet që Greqia ishte duke bërë në përputhje me të drejtën komunitare dhe detyrimet e saj në drejtim të të drejtave të njeriut, duke përfshirë detyrimet e saj procedurale.
329. Për sa i përket rrezikut të kthimit në Afganistan, Qeveria kishte marrë gjithashtu parasysh faktin që Greqia e kishte siguruar Gjykatën në çështjen e K.R.S kundër Mbretërisë së Bashkuar (dec. cituar më lart) dhe mundësinë që kërkuesi sapo të arrinte në Greqi, mund të paraqiste një kërkesë në Gjykatë dhe, nëse ishte e nevojshme, një kërkesë për zbatimin e nenit 39 të Rregullores. Në dritën e këtyre garancive, Qeveria vlerësoi se, transferimi kërkuesit nuk kishte qenë në shkelje të nenit 3.
B. Vëzhgimet e Qeverive të Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, dhe të Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, Qendrës Aire dhe Amnesty International dhe Monitoruesit Grek të Helsinkit, si palë të treta ndërhyrëse në proces
330. Sipas Qeverisë së Holandës, ekzistenca e mangësive të mundshme në sistemin e azilit grek nuk tregonte që mbrojtja ligjore e ofruar për azilkërkuesit në Greqi ishte përgjithësisht iluzive, dhe se Shtetet Anëtare nuk duhet të transferojnë persona në Greqi, sepse duke bërë kështu ata do të shkelnin nenit 3 të Konventës. I takonte Komisionit dhe autoriteteve greke dhe jo Gjykatës, që me mbështetjen logjistike të Shteteve të tjera Anëtare, të punonin për ta sjellë sistemin grek të azilit në përputhje me standardet e Komunitetit. Kështu, Qeveria e Holandës pohoi se, ata merrnin plotësisht përgjegjësitë e tyre duke u siguruar, nëpërmjet një zyrtari në ambasadën e tyre në Athinë, që çdo azilkërkues që transferohej do të drejtohej tek shërbimet e azilit në aeroportin ndërkombëtar. Në përputhje me vendimin e Gjykatës në çështjen K.R.S. (cituar më lart), duhej supozuar se Greqia do të respektojë detyrimet e veta ndërkombëtare dhe se, personat e transferuar do të kenë mundësi për të apeluar në gjykatat vendase dhe më pas, nëse është e nevojshme, në Gjykatë. Të supozohej ndryshe do të thoshte të mohohej parimi i besimit ndër-shtetëror në të cilin ishte bazuar sistemi i Dublinit, duke bllokuar zbatimin e Rregullores nga masat e ndërmjetme, dhe duke vënë në pikëpyetje qëndrimin e kujdesshëm dhe të balancuar të Gjykatës, për shembull në vendimin e saj në rastin e Bosphorus Hava Yolları Turizm ve Ticaret Anonim Şirketi kundër Irlandës [GC] (nr. 45036/98, ECHR 2005 VI), në vlerësimin e përgjegjësisë së Shteteve gjatë zbatimi të së drejtës komunitare.
331. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka theksuar se Rregullorja e Dublinit jepte një avantazh thelbësor në përshpejtimin e shqyrtimit të kërkesave, në mënyrë që personat në fjalë të mos kenë kohë për të zhvilluar lidhje të panevojshme shoqërore dhe kulturore në një shtet. Duke qenë kështu, duhet pasur parasysh se lënia e përgjegjësisë sipas nenit 3 Shtetit përgjegjës për kërkesën e azilit para transferimit, si në rastin në fjalë, e detyronte këtë të fundit të ngadalësonte shumë gjithë procesin. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ishte e bindur se ankesat e tilla, të cilat ishin të kuptueshme në rastet e dëbimit në një Shtet i cili nuk ishte i detyruar në bazë të Konventës, duhet të shmangeshin kur Shteti përgjegjës për trajtimin e kërkesës për azil ishte palë në Konventë. Në raste të tilla, siç Gjykata kishte vendosur në çështjen e K.R.S. (cituar më lart), interpretimi normal i Konventës do të ishte që, palët e interesuara të paraqesin kërkesat e tyre për azil pranë gjykatave në Shtetin përgjegjës dhe më pas, nëse ishte rasti, në Gjykatë. Sipas Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, kjo nuk i përjashtonte Shtetet transferuese nga përgjegjësitë e tyre për shkelje të mundshme të Konventës, por do të thoshte se, përgjegjësia e tyre mund të angazhohej vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, kur tregohej se, personat në fjalë nuk do të kishin akses në gjykatën e shtetit përgjegjës për trajtimin e kërkesës për azil. Megjithatë këto nuk ishin rrethanat e rastit në fjalë.
332. Sipas mendimit të UNHCR-së, siç tashmë kishte deklaruar në raportin e tyre të publikuar në prill 2008, azilkërkuesit nuk duhet të transferoheshin, kur, si në rastin në fjalë, kishte dëshmi se Shteti përgjegjës për përpunimin e kërkesës për azil kryente transferime në vendet me risk të lartë, se personat e interesuar hasnin pengesa në qasjen ndaj procedurave të azilit për një shqyrtim efektiv të kërkesave të tyre dhe për një mjet efektiv dhe kur kushtet e pritjes mund të rezultojnë në shkelje të nenit 3 të Konventës. Mos transferimi i azil-kërkuesve në këto kushte ishte parashikuar në vetë Rregulloren e Dublinit dhe ishte plotësisht në përputhje me nenin 33 të Konventës së Gjenevës dhe me Konventën. UNHCR-ja theksoi se, kjo nuk ishte një mundësi teorike dhe se, ndryshe nga Belgjika, gjykatat në Shtete të caktuara kishin pezulluar transferimet në Greqi për arsyet e mësipërme. Në çdo rast, siç Gjykata ka deklaruar qartë në rastin e T.I (dec. cituar lart), çdo Shtet kontraktues mbetet përgjegjës sipas Konventës për të mos ekspozuar personat ndaj trajtimeve në kundërshtim me nenin 3 përmes zbatimit automatik të sistemit të Dublinit.
333. Qendra Aire dhe Amnesty International konsideruan se në formën e saj aktuale, pa një klauzolë për pezullimin e transferimeve në vendet të cilat nuk respektojnë detyrimet e tyre ndërkombëtare në çështjet e azilit, Rregullorja e Dublinit i ekspozon azilkërkuesit ndaj rrezikut të dëbimit në shkelje të Konventës dhe Konventës së Gjenevës. Ato vunë në dukje dallimet e konsiderueshme ndërmjet Shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në zbatimin e Rregullores dhe në vlerësimin nga gjykatat vendase të ligjshmërisë së transferimeve, kur bëhet fjalë për të vlerësuar rrezikun e shkeljes së të drejtave themelore, në veçanti kur Shteti përgjegjës për trajtimin e kërkesës për azil nuk kishte transpozuar si duhet masat e tjera komunitare në lidhje me azilin. Qendra Aire dhe Amnesty International konsideruan se, Shtetet të cilat transferojnë azilkërkuesit kishin pjesën e tyre të përgjegjësisë për mënyrën se si Shtetet pritëse i trajtonin ata, për aq sa ata mund të parandalonin shkeljet e të drejtave të njeriut nga zbatimi i klauzolës së sovranitetit në Rregullore. Mundësia për Komisionin Evropian për të ndërmarrë veprime kundër Shtetit pritës për dështimin prej këtij të fundit në përmbushjen e detyrimeve të tij, nuk ishte, sipas mendimit të tyre, një mjet efektiv kundër shkeljes së të drejtave themelore të azilkërkuesve. Gjithashtu ata nuk ishin të bindur, përderisa CJEU nuk ishte shprehur mbi ligjshmërinë e transferimeve të Dublinit kur ato mund të çonin në shkelje të tilla, për efikasitetin e procedurës së kërkesave paraprake të krijuar nga Traktati i Lisbonës.
334. GHM vuri në dukje se në kohën e dëbimit të kërkuesit ka pasur tashmë një numër të konsiderueshëm dokumentesh që vërtetonin për mangësitë në procedurën e azilit, kushtet në të cilat azilkërkuesit priteshin dhe rrezikun e kthimit direkt apo indirekt në Turqi. GHM vërejti se, autoritetet belge nuk mund të mos kenë qenë në dijeni për këtë, veçanërisht për faktin se dokumente të njëjtat ishin përdorur në procedurat e brendshme për të urdhëruar pezullimin e transferimeve në Greqi. Sipas GHM, dokumentet në fjalë, veçanërisht ato të UNHCR-së, duhet të bëjnë të mundur që të përmbyset prezumimi i Gjykatës në K.R.S (dec. cituar më lart) se Greqia plotësonte detyrimet e saj ndërkombëtare në çështjet e azilit.
C. Vlerësimi i Gjykatës
1. Pranueshmëria
335. Qeveria belge kritikoi kërkuesin se nuk e kishte përdorur siç duhej procedurën tejet urgjente të pezullimit të ekzekutimit, për mos paraqitjen e një kërkesë në Këshillin e Mosmarrëveshjeve për të Huajt për rrëzimin e urdhrit për t’u larguar nga vendi dhe mos paraqitjen e një ankimi administrativ pranë Conseil d’Etat mbi çështje të ligjit. Ata në përputhje me rrethanat e parashtruara deklaruan se kërkuesi nuk kishte shteruar mjetet e brendshme ligjore dhe kërkuan nga Gjykata që ta deklarojë këtë pjesë të kërkesës të papranueshme dhe ta refuzojë atë në përputhje me nenin 35 §§ 1 dhe 4 të Konventës
336. Gjykata vërejti se, kërkuesi pretendoi gjithashtu se, nuk ka pasur një mjet ligjor i cili të plotësonte kërkesat e nenit 13 të Konventës për pretendimet e tij në bazë të neneve 2 dhe 3, dhe deklaroi, në këtë kontekst, se mjetet në fjalë nuk ishin efektive sipas kuptimit të kësaj dispozite (shih paragrafët 370-377 më poshtë). Ajo vlerësoi se, kundërshtimet e Qeverisë për mosshterim të mjeteve të brendshme ligjore duhet t’i bashkohen themelit të kërkesës sipas nenit 13 të lexuar në lidhje me nenet 2 dhe 3 të Konventës dhe të shqyrtohen së bashku.
337. Kështu, Gjykata çmon se kjo pjesë e kërkesës nuk mund të refuzohet për mosshterim të mjeteve të brendshme ligjore (shih paragrafët 385-396 më poshtë) dhe se ajo ngre çështje komplekse të ligjit dhe faktit përcaktimi i të cilave kërkon një shqyrtim në themel të kërkesës. Ajo më tej konstaton se, nuk është haptazi e pabazuar në kuptim të nenit 35 § 3 të Konventës dhe as nuk është e papranueshme për ndonjë arsye tjetër dhe e deklaron atë të pranueshme.
2. Përgjegjësia e Belgjikës në bazë të Konventës
338. Gjykata vëren referencën në vendimin e Bosphorus nga Qeveria e Holandës në vëzhgimet e tyre paraqitur si palë e tretë ndërhyrëse (shih paragrafin 330 më lart).
Gjykata ripërsërit nga ai vendim se, Konventa nuk i pengon Palët Kontraktuese nga transferimi i kompetencave sovrane një organizate ndërkombëtare për qëllime të bashkëpunimit në fusha të caktuara (shih Bosphorus, cituar më sipër, § 152). Megjithatë, Shtetet mbeten përgjegjës në bazë të Konventës për të gjitha veprimet dhe mosveprimet e organeve të tyre sipas së drejtës së tyre të brendshme ose sipas tyre detyrimeve ligjore ndërkombëtare (ibid., § 153). Veprimet e Shtetit të ndërmarra në përputhje me detyrime të tilla ligjore justifikohen për aq kohë sa organizata përkatëse konsiderohet se, mbron të drejtat themelore në një mënyrë e cila mund të konsiderohet ekuivalente, më së paku, me atë të parashikuar nga Konventa. Megjithatë, një Shtet do të jetë plotësisht përgjegjës sipas Konventës për të gjitha aktet që bien jashtë sferës së detyrimeve strikte ligjore ndërkombëtare, sidomos kur ushtrohet diskrecioni shtetëror (ibid., §§ 155-57).
Gjykata konstatoi se mbrojtja e të drejtave themelore e ofruar nga e drejta komunitare ishte ekuivalente me atë që ofrohet nga sistemi i Konventës (ibid., § 165). Në arritjen e këtij përfundimi ajo i kushton rëndësi të madhe rolit dhe kompetencave të ECJ - tani CJEU - në këtë çështje, duke konsideruar në praktikë se, efektiviteti i garancive substanciale të të drejtave themelore varej nga mekanizmat e caktuar të kontrollit në vend për të siguruar respektimin e tyre (po aty, § 160). Gjithashtu Gjykata u kujdes që ta kufizojë shtrirjen e vendimit Bosphorus për të drejtën komunitare në kuptimin e ngushtë, në atë kohë "shtylla e parë" e së drejtës së Bashkimit Evropian (po aty, § 72).
339. Gjykata vëren se, neni 3 § 2 i Rregullores së Dublinit parashikon, në përjashtim nga rregulli i përgjithshëm përcaktuar në nenin 3 § 1, se çdo Shtet Anëtar mund të shqyrtojë një kërkesë për azil të depozituar nga një shtetas i një vendi të tretë, edhe nëse nuk është përgjegjësia e tij sipas kritereve të përcaktuara në Rregullore. Kjo është e ashtuquajtura klauzola e "sovranitetit". Në një rast të tillë Shteti në fjalë bëhet Shteti Anëtar përgjegjës për qëllimet e kësaj Rregulloreje dhe merr përsipër detyrimet që lidhen me këtë përgjegjësi.
340. Gjykata konstaton se, sipas Rregullores, autoritetet belge mund të mos e kishin transferuar kërkuesin në qoftë se, ata do kishin vlerësuar se, vendi pritës, pra Greqia, nuk përmbushte detyrimet e veta sipas Konventës. Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se, masa e kundërshtuar e ndërmarrë nga autoritetet belge nuk përfshihet në detyrimet ligjore ndërkombëtare të Belgjikës e vlerësuar në mënyrë strikte. Prandaj, prezumimi i mbrojtjes ekuivalente nuk zbatohet në këtë rast.
3. Themeli i kërkesës sipas neneve 2 dhe 3 të Konventës
(a) Vendimet T.I. dhe K.R.S.
341. Në këto dy raste Gjykata ka pasur mundësi për të shqyrtuar efektet e Konventës së Dublinit, më pas Rregullorja e Dublinit, në lidhje me Konventën.
342. Rasti i T.I. (dec., cituar më lart) kishte të bënte me një shtetas nga Sri Lanka i cili, kishte kërkuar pa sukses azil në Gjermani dhe më pas kishte paraqitur një kërkesë të ngjashme në Mbretërinë e Bashkuar. Në zbatim të Konventës së Dublinit, Mbretëria e Bashkuar kishte urdhëruar transferimin e tij në Gjermani.
Në vendimin e saj Gjykata vlerësoi se, largimi indirekt në një vend ndërmjetës, i cili gjithashtu ishte Palë Kontraktuese, nuk e çlironte nga përgjegjësia Shtetin transferues, dhe se Shteti duhej, në përputhje me jurisprudencën e konsoliduar, të mos e dëbonte një person, kur ekzistonin arsye thelbësore që të bënin të besoje se, personi në fjalë, në qoftë se dëbohej, do të përballej me një rrezik real për të qenë subjekt i trajtimit në kundërshtim me nenin 3, në vendin pritës.
Për më tepër, Gjykata përsëriti se, kur Shtetet bashkëpunojnë në një fushë të tillë siç është mbrojtja e të drejtave themelore, do të ishte në kundërshtim me qëllimin dhe objektin e Konventës në qoftë se ata do çliroheshin nga të gjitha përgjegjësitë vis-à-vis të Konventës në fushën në fjalë (shih, midis të tjerash, Waite dhe Kennedy kundër Gjermanisë [GC], nr. 26083/94, § 67, ECHR 1999-I).
Kur zbatojnë Rregulloren e Dublinit, Shtetet duhet të jenë sigurt që procedura për azil në vendin ndërmjetës ofron garanci të mjaftueshme për të shmangur kthimin e një azilkërkuesi direkt ose indirekt në vendin e tij të origjinës pa asnjë shqyrtim të rreziqeve me të cilat ai mund të përballej nga këndvështrimi i nenit 3 të Konventës.
Edhe pse në rastin T.I Gjykata hodhi poshtë argumentin se, fakti që Gjermania ishte palë në Konventën e çlironte Mbretërinë e Bashkuar nga detyrimi për të verifikuar se çfarë fati e priste një azilkërkues të cilin ajo po e transferonte, fakti që procedura e azilit në Gjermani dukej se ishte në përputhje me Konventën, dhe në veçanti nenin 3, e bëri Gjykatën të hedhë poshtë pretendimet se largimi i kërkuesit në Gjermani e vinte atë në një rrezik real dhe serioz të trajtimit në kundërshtim me këtë nen. Gjykata vlerësoi se nuk kishte asnjë arsye në këtë rast të veçantë për të besuar se Gjermania do të kishte dështuar në respektimin e detyrimeve të saj sipas nenit 3 të Konventës dhe për të mbrojtur kërkuesin nga dëbimi në Sri Lanka, nëse ai paraqiste argumente të besueshme që tregonin se ai rrezikonte keqtrajtim në atë vend.
343. Kjo qasje u konfirmua dhe u zhvillua edhe në vendimin K.R.S (cituar më lart). Rasti kishte të bënte me transferimin nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar, në zbatim të Rregullores së Dublinit, të një azilkërkuesi iranian në Greqi, përmes së cilës ai kishte kaluar para se të arrinte në Britani të Madhe në vitin 2006. Duke u bazuar në nenin 3 të Konventës, kërkuesi pretendoi mangësi në procedurën e azilit në Greqi dhe rrezikun që ai mund të kthehej përsëri në Iran pa një shqyrtim në themel të kërkesës së tij për azil, si dhe mangësi në pritjen e rezervuar për azilkërkuesit në Greqi.
Pasi ka konfirmuar zbatueshmërinë e precedentit T.I tek Rregullorja e Dublinit (shih gjithashtu lidhur me këtë Stapleton kundër Irlandës (dec.), nr. 56588/07, § 30, ECHR 2010- ...), Gjykata konsideroi se, në mungesë të provave që vërtetojnë të kundërtën duhet supozuar se, Greqia përmbush detyrimet e vendosura mbi të nga direktivat e Komunitetit të cilat, përcaktojnë standardet minimale për procedurat e azilit dhe pritjes së azilkërkuesve, direktiva këto të cilat ishin transpozuar në të drejtën greke, dhe gjithashtu se Greqia respektonte nenin 3 të Konventës.
Sipas mendimit të Gjykatës, nën dritën e informacioneve në dispozicion në atë kohë të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjykatës, ishte e mundur të supozohej se, Greqia vepronte në përputhje me detyrimet e saj dhe nuk kthente askënd në Iran, vendi i origjinës së kërkuesit.
As nuk kishte ndonjë arsye për të besuar se personat e kthyer në Greqi sipas Rregullores së Dublinit, duke përfshirë edhe ata të cilëve u ishin refuzuar kërkesat për azil me vendim të formës së prerë të autoriteteve greke, pengoheshin për t’iu drejtuar Gjykatës për të kërkuar marrjen e masave të ndërmjetme sipas nenit 39 të Rregullores së Gjykatës
(b) Zbatimi i këtyre parimeve në çështjen konkrete
344. Gjykata e ka deklaruar tashmë mendimin e saj se, kërkuesi mund të pretendojë në mënyrë të arsyeshme se, kthimi i tij në Afganistan do të çonte në shkelje të neneve 2 dhe 3 të Konventës (shih paragrafët 296-297 më sipër).
345. Gjykata duhet të vlerësojë tashmë nëse autoritetet Belge duhet ta kishin konsideruar si të zhvleftësuar prezumimin se autoritetet Greke dhe të respektonin detyrimet e tyre ndërkombëtare në çështjet e azilit, pavarësisht nga jurisprudenca K.R.S. të cilën, sipas Qeverisë, kishin dashur të ndjekin autoritetet administrative dhe gjyqësore në këtë rast.
346. Gjykata nuk pajtohet me argumentin e Qeverisë belge që Zyra për të Huajt nuk kishte qenë në dijeni të frikës së kërkuesit në rast se transferohej në Greqi në kohën kur ajo kishte lëshuar urdhrin për largimin e tij nga vendi, për shkak se kërkuesi nuk e kishte shprehur diçka të tillë gjatë intervistës.
347. Gjykata këqyr pikë së pari, të gjitha ato raporte dhe materiale të shumta bashkëlidhur informacionit në dispozicion të saj, kur ajo vendosi për çështjen K.R.S në 2008. Këto raporte dhe materiale, të bazuara në vëzhgime në terren, raportojnë të gjitha për vështirësitë praktike në zbatimin e sistemit të Dublinit në Greqi, të metat e procedurës së azilit dhe praktika e dëbimit direkt ose indirekt individualisht apo kolektivisht.
348. Autorët e këtyre dokumenteve janë UNHCR-ja, Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, organizatat ndërkombëtare jo-qeveritare, si Amnesty International, Human Rights Watch, Pro-Asyl dhe Këshilli Evropian për Refugjatët dhe të Dëbuarit, dhe organizatat jo-qeveritare të pranishme në Greqi të tilla si Monitoruesi Grek i Helsinkit dhe Komisioni Kombëtar Greke për të Drejtat e Njeriut (shih paragrafin 160 më lart). Gjykata vëren se këto dokumente janë botuar rregullisht që nga viti 2006 dhe me frekuencë më të lartë në vitin 2008 dhe 2009, dhe se shumica e tyre ishin të botuar në kohën kur u lëshua urdhri i dëbimit për kërkuesin.
349. Gjithashtu Gjykata i kushton rëndësi kritike letrës së dërguar nga UNHCR-ja në prill 2009 Ministrit belg përgjegjës për emigracionin. Letra, në të cilën thuhej se një kopje ishte dërguar në Zyrën për të Huajt, përmbante një apel të qartë për pezullimin e transferimeve në Greqi (shih paragrafët 194 dhe 195 më lart).
350. Sa më sipër, i shtohet edhe fakti se që nga dhjetori 2008 sistemi Evropian azilit ka hyrë në një fazë reformash dhe se, në dritën e mësimeve të nxjerra nga zbatimi i teksteve të miratuara gjatë fazës së parë, Komisioni Evropian ka bërë propozime që synojnë në thelb forcimin e mbrojtjes së të drejtave themelore të kërkuesve për azil dhe pezullimin e përkohshëm të transferimeve sipas Rregullores së Dublinit për të shmangur rrezikun që azilkërkuesit të kthehen përsëri në Shtetet Anëtare të paafta për t’u ofruar atyre një nivel të mjaftueshëm të mbrojtjes së të drejtave të tyre themelore (shih paragrafët 77 - 79 lart).
351. Për më tepër, Gjykata vëren se, procedura e ndjekur nga Zyra për të Huajt në zbatim të Rregullores së Dublinit nuk i jepte mundësi kërkuesit për të sqaruar arsyet kundër transferimit të tij në Greqi. Formulari i plotësuar nga Zyra për të Huajt nuk përmbante asnjë seksion për komente të tilla (shih paragrafin 130 më lart).
352. Në këto kushte Gjykata çmon se, situata e përgjithshme ishte e njohur për autoritetet belge dhe se kërkuesit nuk i bie e tërë barra e provës. Pavarësisht këtij fakti, Gjykata vëren se, Zyra për të Huajt sistematikisht ka zbatuar Rregulloren e Dublinit për të transferuar njerëz në Greqi pa e konsideruar mundësinë e bërjes së një përjashtimi, me përjashtim të disa shembujve të paraqitur nga Qeveria për zbatimin e klauzolës së sovranitetit, shembuj që gjithsesi nuk kishin të bënin me Greqinë.
353. Qeveria belge argumentoi se, në çdo rast ata kishin kërkuar garanci të mjaftueshme nga autoritetet greke që kërkuesi nuk ballafaqohej me rrezikun e trajtimit në kundërshtim me Konventën në Greqi. Në lidhje me këtë, Gjykata vëren se, ekzistenca e ligjeve të brendshme dhe aderimi në marrëveshjet ndërkombëtare që garantojnë respektimin e të drejtave themelore në parim, nuk janë në vetvete të mjaftueshme për të garantuar mbrojtje adekuate kundër rrezikut të keqtrajtimit, kur, si në rastin në fjalë, burime të besueshme kanë raportuar praktikat të autoriteteve ose të toleruara prej tyre, haptazi në kundërshtim me parimet e Konventës (shih, mutatis mutandis, Saadi kundër Italisë [GC], nr. 37201/06, § 147, ECHR 2008- ...)
354. Gjithashtu, Gjykata është e mendimit se, garancitë diplomatike të dhëna nga Greqia për autoritetet belge nuk përbënin garanci të mjaftueshme. Ajo vuri në dukje para së gjithash se, marrëveshja për marrjen e përgjegjësisë në zbatimin e Rregullores së Dublinit u dërgua nga autoritetet greke, pasi ishte lëshuar urdhri për t’u larguar nga vendi, dhe se për këtë arsye ky urdhër ishte lëshuar vetëm mbi bazën e një pëlqimi të heshtur nga autoritetet greke. Së dyti, ajo vë në dukje se dokumenti i pëlqimit është formuluar në terma stereotipikë (shih paragrafin 24 më lart) dhe nuk përmban asnjë garanci në lidhje me kërkuesin personalisht. As dokumenti informues që Qeveria belge përmendi, i paraqitur nga autoritetet greke, nuk përmbante ndonjë garanci individuale, por thjesht i referohej legjislacionit në fuqi, pa asnjë informacion në lidhje me situatën në praktikë.
355. Gjykata më tej, refuzoi argumentin e Qeverisë se, vetë Gjykata nuk e kishte konsideruar të nevojshme sugjerimin e një masë të përkohshme sipas nenit 39 të Rregullores për të pezulluar transferimin e kërkuesit. Ajo përsërit se, në raste të tilla si ky, kur dëbimi i kërkuesit është i pashmangshëm në kohën kur çështja është sjellë në vëmendjen e Gjykatës, ajo duhet të marrë një vendim urgjent. Masa në fjalë, do të jetë një masë mbrojtëse e cila në asnjë mënyrë nuk paragjykon shqyrtimin e kërkesës në bazë të nenit 34 të Konventës. Në këtë fazë, kur një masë e ndërmjetme sugjerohet, nuk i takon Gjykatës për të analizuar çështjen në thellësi dhe në të vërtetë ajo shpesh nuk i ka të gjitha informatat që i duhen për ta bërë këtë (shih, mutatis mutandis, Paladi kundër Moldavisë [GC], nr. 39806/05, § 89, ECHR 2009-...). Në rastin konkret, për më tepër, letrat e dërguara nga Gjykata e tregojnë qartë se, plotësisht e vetëdijshme për situatën në Greqi, ajo i kërkoi qeverisë greke për të ndjekur rastin e kërkuesit nga afër dhe për ta mbajtur atë të informuar (shih paragrafët 32 dhe 38-39, më sipër) .
356. Qeveria e paditur, e mbështetur nga Qeveritë, palë të treta ndërhyrëse, parashtroi së fundi se azilkërkuesi duhet të paraqesë kërkesë pranë Gjykatës vetëm kundër Greqisë, pasi të ketë shteruar mjetet e brendshme ligjore në atë vend, dhe nëse është e nevojshme të kërkojë vendosjen e masave të ndërmjetme.
357. Pavarësisht se, në parim kjo është rruga më normale e veprimit sipas sistemit të Konventës, Gjykata vëren se, nga analiza e saj lidhur me pengesat që përballen azilkërkuesit në Greqi, në mënyrë të qartë del se paraqitja e ankimit atje në këtë moment është iluzive. Gjykata vë në dukje se kërkuesi është i përfaqësuar para saj nga avokati që e mbrojti atë në Belgjikë. Duke marrë parasysh numrin e kërkesave për azil në proces e sipër në Greqi, nuk mund të nxirren konkluzione nga fakti se disa azilkërkues kanë sjellë para Gjykatës rastet kundër Greqisë. Në lidhje me këtë ajo gjithashtu merr parasysh numrin shumë të vogël të kërkesave në zbatim të nenit 39 të Rregullores për marrjen e masave të ndërmjetme paraqitur në Gjykatë kundër Greqisë nga azilkërkues në atë vend, në krahasim me numrin e kërkesave të paraqitur nga azilkërkues në Shtetet e tjera.
358. Në dritën e sa më sipër, Gjykata çmon se në kohën e dëbimit të kërkuesit autoritetet belge e dinin ose duhet të kishin dijeni se ai nuk kishte asnjë garanci që kërkesa e tij për azil do të shqyrtohej seriozisht nga autoritetet greke. Ata gjithashtu kishin mjetet për të refuzuar transferimin e tij.
359. Qeveria argumentoi se, kërkuesi nuk kishte individualizuar mjaftueshëm, para autoriteteve belge, rrezikun e të mos pasurit akses në procedurën e azilit dhe të kthimit nga autoritetet greke. Megjithatë, Gjykata çmon se, autoritetet belge, të përballura me situatën e përshkruar më sipër, nuk duhet thjesht të supozonin se kërkuesi do të trajtohej në përputhje me standardet e Konventës, por, përkundrazi, më parë duhet të verifikonin se si autoritetet greke zbatonin legjislacionin e tyre mbi azilin në praktikë. Nëse ata do e kishin bërë këtë, do kishin kuptuar se rreziqet e përballura nga kërkuesi ishin mjaft reale dhe individuale dhe binin në fushëveprimin e nenit 3. Fakti se një numër i madh i azilkërkuesve në Greqi e gjenin veten në të njëjtën situatë si kërkuesi, nuk e bënte rrezikun më pak individual ku ai është mjaft real dhe i mundshëm (shih, mutatis mutandis, Saadi, cituar më sipër, § 132) .
(c) Përfundime
360. Për sa më sipër, Gjykata konstaton se transferimi i kërkuesit nga Belgjika në Greqi çoi në shkelje të nenit 3 të Konventës.
361. Duke pasur parasysh këtë përfundim dhe rrethanat e çështjes, Gjykata konstaton se, nuk është e nevojshme shqyrtimi i kërkesës sipas nenit 2.
V. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIT 3 TË KONVENTËS NGA BELGJIKA PËR EKSPOZIMIN E KËRKUESIT NDAJ KUSHTEVE TË NDALIMIT DHE KUSHTEVE TË JETESËS NË KUNDËRSHTIM ME NENIN 3
362. Kërkuesi pretendoi se për shkak të kushteve të ndalimit dhe jetesës në të cilat gjendeshin azilkërkuesit në Greqi, duke e kthyer atë në atë vend, në zbatim të Rregullores së Dublinit, autoritetet belge e kishin ekspozuar ndaj trajtimit të ndaluar sipas nenin 3 të Konventës, të cituar sipër.
363. Qeveria e kundërshtoi këtë akuzë, ashtu siç kundërshtoi se kishte një shkelje të nenit 3 për shkak të kthimit të kërkuesit në Greqi dhe rrezikut që pasoi si rezultat i mangësive në procedurën e azilit
364. Gjykata çmon se pretendimet e kërkuesit sipas dispozitës së mësipërme të Konventës ngrenë çështje komplekse të ligjit dhe faktit, përcaktimi i të cilave kërkon një shqyrtim në themel. Ajo më tej konstaton se kërkesa nuk është haptazi e pabazuar në kuptim të nenit 35 § 3 të Konventës dhe as nuk është e papranueshme për ndonjë arsye tjetër dhe e deklaron atë të pranueshme.
365. Lidhur me themelin, Gjykata rithekson se në bazë të jurisprudencës të saj dëbimi i një azilkërkuesi nga një Shtet Kontraktues mund të ngrejë një çështje sipas nenit 3, dhe kështu të angazhojë përgjegjësinë e atij Shteti në bazë të Konventës, kur ka arsye thelbësore për të besuar se personi në fjalë përballet me rrezikun real për t’iu nënshtruar torturës ose trajtimit çnjerëzor apo poshtërues dhe ndëshkimit në vendin pritës. Në rrethana të tilla, neni 3 nënkupton një detyrim për të mos dëbuar personin në atë vend (shih Soering kundër Mbretërisë së Bashkuar, 7 korrik 1989, Seria A nr. 161, §§ 90-91; Vilvarajah dhe të Tjerët kundër Mbretëria e Bashkuar, 30 tetor 1991, Seria A nr. 125, § 103; H.L.R kundër Francës, 29 prill 1997, Raportet 1997-III, § 34; Jabari cituar më lart, § 38; Salah Sheekh kundër Holandës , nr. 1948/04, § 135, ECHR 2007-I (ekstrakte), nr. 1948/04; dhe Saadi, cituar më lart, § 152).
366. Në rastin konkret Gjykata ka vendosur tashmë se, kushtet e ndalimit të kërkuesit dhe ato të jetesës në Greqi ishin poshtëruese (shih paragrafët 233, 234, 263 dhe 264 më lart). Ajo vëren se këto fakte ishin të njohura edhe para transferimit të kërkuesit dhe gjendeshin në një numër të gjerë burimesh (shih paragrafët 162-164 më sipër). Ajo gjithashtu dëshiron të theksojë se nuk mund të përdoret kundër kërkuesit fakti se ai nuk i kishte informuar autoritetet administrative belge për arsyet se përse ai nuk dëshironte të transferohej në Greqi. Gjykata tashmë është shprehur se procedura para Zyrës për të Huajt nuk kishte hapësirë për shpjegime të tilla dhe se autoritetet belge zbatonin sistematikisht Rregulloren e Dublinit (shih paragrafin 352 më lart).
367. Bazuar në këto konkluzione dhe detyrimet për Shtetet sipas nenit 3 të Konventës lidhur me dëbimin, Gjykata çmon se duke transferuar kërkuesin në Greqi autoritetet belge me vetëdije e kishin ekspozuar atë ndaj kushtet të ndalimit dhe jetesës që përbënin një trajtim poshtërues.
368. Për sa më sipër, Gjykata vendos se është shkelur neni 3 i Konventës.
VI. PRETENDIMI PËR SHKELJE NGA BELGJIKA TË NENIT 13 I SHQYRTUAR NË LIDHJE ME NENET 2 DHE 3 TË KONVENTËS PËR SHKAK TË MUNGESËS SË NJË MJETI EFEKTIV KUNDËR URDHRIT TË DËBIMIT
369. Kërkuesi pohoi se nuk kishte asnjë mjet të parashikuar në të drejtën belge, siç kërkohet sipas nenit 13 të Konventës, cituar më lart, për t’u ankuar në lidhje me shkeljet e pretenduara të neneve 2 dhe 3 të Konventës.
A. Parashtrimet e palëve
1. Kërkuesi
370. Kërkuesi parashtroi se, kishte vepruar sa më shpejt kishte mundur në paraqitjen e kërkesës së parë për shtyrjen e ekzekutimit të urdhrit të dëbimit, sipas procedurës tejet urgjente. Megjithatë ai ishte përballur me pengesa praktike përsa i përket aksesit në procedurën urgjente.
371. Së pari, ai shpjegoi se ditën që u lëshua urdhri për t’u larguar nga vendi, më 19 maj 2009, ai u dërgua në një qendër të mbyllur për emigrantët ilegalë. Vetëm pesë ditë më vonë, pas fundjavës së gjatë të Ditës së Hipjes në Qiell, iu caktua një avokat, me kërkesën e tij, nga autoritetet belge dhe Komiteti Belg për Ndihmën ndaj Refugjatëve të paktën ishte në gjendje ta identifikonte atë avokat dhe t’i kalonte informatat e përgjithshme në lidhje me azilkërkuesit e sistemit të Dublinit. Ky avokat i parë, i cili nuk ishte specialist në çështjet e azilit, depozitoi një kërkesë për pezullimin e ekzekutimit sipas procedurës tejet urgjente, pas tre ditësh që kishte marrë dosjen, kohë që sipas mendimit të kërkuesit nuk ishte aspak e gjatë.
372. Së dyti, çështja ishte vendosur për t’u shqyrtuar një orë pasi kërkesa ishte paraqitur, çka e kishte bërë të pamundur pjesëmarrjen në seancë të avokatit të kërkuesit, zyra e të cilit ishte 130 km larg nga Këshilli i Mosmarrëveshjeve për të Huajt. Sipas kërkuesit, avokati i tij nuk kishte pasur asnjë mjet praktik për të pasur një zëvendës të tijin që ta përfaqësonte për shkak se nuk ishte detyra e shërbimit të ndihmës së përhershme të seksionit për të "huajt" në zyrën e ndihmës juridike, për të zëvendësuar në raste të jashtëzakonshme një avokat i cili nuk mund të merrte pjesë në një seancë. Në mbështetje të këtij pohimi ai paraqiti një shënim me shkrim nga kryetari i seksionit përkatës. Më tej, kërkuesi pohoi se, duke qenë se largimi i tij nuk ishte i afërt, por ishte planifikuar për 27 maj, kërkesa e tij mund të ishte refuzuar gjithsesi, sepse nuk kishte asnjë urgjencë.
373. Përveç pamundësisë praktike në aksesin në procedurën tejet urgjente, në rastin e tij, kërkuesi shtoi se, megjithatë, ankimi para Këshillit të Mosmarrëveshjeve për të Huajt, nuk ishte një mjet efektiv në kuptim të nenit 13 të Konventës në lidhje me rrezikun e shkeljes së neneve 2 dhe 3 në rast dëbimi. Për këtë arsye nuk mund të thuhej se ai nuk e kishte shteruar atë mjet.
374. Së pari, ai parashtroi se, në kohën e largimit të tij, kërkesa e tij për pezullimin e ekzekutimit nuk kishte asnjë gjasë për t’u pranuar për shkak të precedentëve të vazhdueshëm të disa Dhomave të caktuara të Këshillit të Mosmarrëveshjeve për të Huajt, të cilat sistematikisht vendosnin se, nuk ekzistonin praktikisht dëme të pariparueshme për shkak të prezumimit se Greqia do të përmbushte detyrimet e saj ndërkombëtare në çështjet e azilit, dhe ky supozim nuk mund të hidhej poshtë në bazë të raporteve mbi gjendjen e përgjithshme në Greqi, pa rrezik in concreto për personin. Vetëm një numër i vogël çështjesh ishte vendosur ndryshe, por në një mënyrë krejtësisht të papritur dhe të pa shpjegim të arsyeve.
375. Sipas mendimit të kërkuesit, fakti që azilkërkuesve u rëndonte barra më e madhe e provës për të treguar se, ata i përkisnin një grupi të pambrojtur të cilët i nënshtroheshin sistematikisht në Greqi një trajtimi në kundërshtim me nenin 3 të Konventës, e bënte ankimin në Këshillin e Mosmarrëveshjeve për të Huajt krejtësisht të paefektshëm. Ngjarjet e mëvonshme kishin provuar se ai kishte të drejtë pasi kishte vuajtur in concreto, rreziqet e shumta që kishte pretenduar.
376. Rrjedhimisht, pasi kërkesa e tij sipas procedurës tejet urgjente ishte refuzuar, nuk kishte më kuptim që kërkuesi të vazhdonte procedurat lidhur me themelin duke qenë se këto nuk do të kishin asnjë efekt pezullues dhe nuk mund të parandalonin largimin e tij. Në fakt kjo ishte praktika e vazhdueshme e Këshillit të Mosmarrëveshjeve për të Huajt, që rrëzonte kërkesa të tilla, sepse në këto kushte kërkuesit nuk kishin më ndonjë interes për të shfuqizuar urdhrin. Së fundi, edhe në qoftë se Këshilli i Mosmarrëveshjeve për të Huajt nuk e kishte deklaruar çështjen të papranueshme mbi ato baza, përsëri urdhri për t’u larguar nga vendi do të zbatohej për shkak të precedentit të vazhdueshëm të sipërpërmendur.
377. Kërkuesi shtoi më tej se kur ankesat administrative mbi çështje të ligjit kundër vendimeve të këtij lloji paraqiten në Conseil d’Etat, ky i fundit nuk vë në pikëpyetje qëndrimin e Këshillit të Mosmarrëveshjeve për të Huajt dhe vlerëson se situata nuk ngre asnjë çështje sipas nenit 13 të Konventës.
2. Qeveria belge
378. Qeveria belge pohoi se kërkuesi kishte pasur mundësinë për të shfrytëzuar disa mjete ligjore para gjykatave vendase që plotësonin kërkesat e nenit 13 të Konventës, por ai nuk i kishte shteruar ato siç duhet.
379. Lidhur me procedurën tejet urgjente për të kërkuar pezullimin e ekzekutimit Qeveria vuri në dukje se, kërkesat mund të paraqiteshin pranë Këshillit të Mosmarrëveshjeve për të Huajt në çdo kohë, pa ndërprerje dhe me efekt pezullues, dhe se Gjykata ka konfirmuar efektivitetin e kësaj procedure në çështjen Quraishi kundër Belgjikës (kërkesë nr. 6130/08, vendimi i datës 12 maj 2009). Ata pretenduan se, kërkuesi e kishte vendosur veten në një situatë urgjente, duke apeluar në Këshillin e Mosmarrëveshjeve për të Huajt vetëm pak orë para nisjes së tij, ndërkohë që ai kishte qenë i ndaluar për dhjetë ditë, në bazë të një urdhri për t’u larguar nga vendi. Ndëshkimi i një kërkuesi për mungesë kujdesi ishte praktikë prej një kohë të gjatë e Conseil d’Etat, e justifikuar nga natyra e përjashtimore e procedurës, e cila reduktonte në minimum të drejtat e mbrojtjes dhe hetimin e rastit. Fakti se fluturimi nuk ishte planifikuar deri më 27 maj është i parëndësishëm pasi, përveç në shembullin e dhënë nga kërkuesi, precedenti konstant i Këshillit të Mosmarrëveshjeve për të Huajt tregonte se privimi i lirisë mjaftonte për të justifikuar natyrën e afërt të rrezikut.
380. Për më tepër, për shkak të urgjencës, rasti kishte qenë planifikuar për shqyrtim të menjëhershëm, por askush nuk kishte marrë pjesë në seancë, edhe pse avokati i kërkuesit mund të kishte kërkuar nga shërbimi i përhershëm i zyrës së ndihmës juridike në Bruksel për ta përfaqësuar atë para Këshillit të Mosmarrëveshjeve për të Huajt.
381. Qeveria kundërshtoi argumentin e kërkuesit se, kërkesa e tij për pezullimin e ekzekutimit nuk kishte asnjë gjasë për t’u pranuar, duke paraqitur pesë vendime të Këshillit nga 2008 dhe 2009 që urdhëronin pezullimin e transferimeve në Greqi sipas procedurës tejet urgjente për arsye se, në dritën e gravitetit të kërkesave të kërkuesve sipas nenit 3 të Konventës, urdhri për t’u larguar nga vendi nuk ishte, prima facie, i arsyetuar mirë. Sipas Qeverisë, ishte gjithmonë në interesin e kërkuesve për të vazhduar me kërkesat e tyre për shqyrtimin gjyqësor në mënyrë që t’i japin Këshillit të Mosmarrëveshjeve për të Huajt dhe më pas Conseil d’Etat një mundësi për të propozuar një zgjidhje dhe të analizojnë ligjshmërinë e masave të kundërshtuara.
382. Fakti që kërkuesi ishte larguar ndërkohë nuk duhet ta kishte frenuar atë për të vazhduar. Në mbështetje të këtij pohimi Qeveria përmendi vendimin e Këshillit të Mosmarrëveshjeve për të Huajt nr. 28,233 të datës 29 maj 2009, i cili e deklaronte kërkesën të pranueshme, edhe pse kërkuesi tashmë ishte transferuar. Çështja më pas ishte pushuar, sepse nuk kishte pasur më asnjë interes për kërkuesin pasi kërkesa kishte lidhje me urdhrin për të lënë vendin dhe ai nuk kishte treguar in concreto se kishte pasur ndonjë shkelje të nenit 3 të Konventës.
383. Lidhur me themelin e çështjes, Qeveria konfirmoi se, siç ajo bëri kur përcaktoi ekzistencën e dëmit të pariparueshëm në fazën e pezullimit, precedenti i vazhdueshëm i Këshillit të Mosmarrëveshjeve për të Huajt, i cili në fakt bazohej në atë të Gjykatës, kërkonte nga kërkuesi të demonstronte rrezikun konkret që i kanosej. Megjithatë, ashtu si efektiviteti i një mjeti ligjor brenda kuptimit të nenit 13 nuk varet rezultati i favorshëm, Qeveria parashtroi se mundësia e një rezultati jo të favorshëm mbi themelin e kërkesës nuk duhet marrë në konsideratë në vlerësimin e efektivitetit të mjetit.
384. UNHCR-ja, si palë e tretë ndërhyrëse në proces, vërejti se, precedenti i vazhdueshëm i Këshillit të Mosmarrëveshjeve për të huajt dhe i Conseil d’Etat sillte efektivisht dështimin e çdo kërkese për pezullimin ose rishikimin e një vendimi për t’u larguar nga vendi lëshuar në zbatim të Rregullores së Dublinit, pasi individët në fjalë nuk ishin në gjendje të ofronin prova konkrete se ata do të përballeshin me një rrezik individual dhe se ishte e pamundur për ta për të siguruar mbrojtje në vendin pritës. Në marrjen e këtij qëndrimi gjykatat belge mbështeteshin automatikisht në Rregulloren e Dublinit dhe nuk merrnin përsipër detyrimet e tyre më të larta në bazë të Konventës dhe të drejtës ndërkombëtare për refugjatët.
B. Vlerësimi i Gjykatës
385. Gjykata tashmë ka vërejtur se, dëbimi i kërkuesit në Greqi nga ana e autoriteteve belge përbënte shkelje sipas nenit 3 të Konventës (shih paragrafët 359 dhe 360 më lart). Pretendimet e kërkuesit në atë drejtim janë pra "të diskutueshme" për qëllimet e nenit 13.
386. Gjykata vëren së pari se, në ligjin belg kërkesa e paraqitur në Këshillin e Mosmarrëveshjeve për të Huajt për të shfuqizuar një urdhër dëbimi nuk pezullon ekzekutimin e urdhrit. Megjithatë, Qeveria vuri në dukje se, një kërkesë për pezullimin e ekzekutimit mund të depozitohet para të njëjtës gjykatë "sipas procedurës tejet urgjente" dhe se ndryshe nga procedura tejet urgjente që ekzistonte në Conseil d’Etat, ajo, në përputhje me ligjin, automatikisht pezullonte zbatimin e urdhrit të dëbimit, deri sa Këshilli të merrte një vendim, brenda një kohe maksimalisht prej shtatëdhjetë e dy orësh.
387. Ndërsa bie dakord se kjo është një shenjë e progresit në përputhje me vendimin Čonka, cituar më lart (§§ 81-83, konfirmuar nga vendimi Gebremedhin, cituar më lart, §§ 66-67), Gjykata rithekson se nga jurisprudenca e saj rrjedh (paragrafi 293 më lart) se çdo kërkesë lidhur me faktin që, dëbimi në një vend tjetër do ta ekspozojë një individ ndaj ndonjë trajtimi të ndaluar sipas nenin 3 të Konventës kërkon shqyrtim të kujdesshëm dhe rigoroz dhe se, me rezervën e një hapësire të caktuar vlerësimi të lënë Shtetit, respektimi i nenit 13 kërkon që organi kompetent duhet të jetë në gjendje për të shqyrtuar thelbin e kërkesës dhe të ofrojë korrigjimin e duhur.
388. Sipas mendimit të Gjykatës kërkesa që rrjedh nga neni 13 që ekzekutimi i masës së kundërshtuar të pezullohet, nuk mund të konsiderohet si një masë plotësuese, kjo, pa marrë parasysh kërkesat në lidhje me objektin e shqyrtimit. E kundërta do të ndodhte nëse Shtetet lejoheshin të dëbonin personin në fjalë pa shqyrtuar kërkesat e tij në bazë të nenit 3 sa më rigorozisht të jetë e mundur.
389. Megjithatë, procedura tejet urgjente çon pikërisht në atë rezultat. Vetë Qeveria shpjegoi se kjo procedurë zvogëlon të drejtat e mbrojtjes dhe të shqyrtimit të çështjes në minimum. Vendime për të cilat Gjykata është në dijeni (paragrafët 144 dhe 148 më lart) konfirmojnë se, shqyrtimi i kërkesave sipas nenit 3 të kryera nga dhoma të caktuara të Këshillit të Mosmarrëveshjeve për të Huajt në kohën e dëbimit të kërkuesit, nuk ishte i plotë. Shqyrtimi i tyre u kufizua në verifikimin nëse, personat në fjalë kishin paraqitur prova konkrete rreth natyrës së pariparueshme të dëmit, që mund të rezultonte nga shkelja e mundshme të nenit 3, duke e rritur barrën e provës në një masë të tillë që pengon shqyrtimin e themelit të pretendimit për shkeljeje. Për më tepër, edhe nëse personat në fjalë bënin përpjekje për të shtuar më shumë materiale në dosjet e tyre përgjatë këtyre rreshtave, pas intervistave të tyre me Zyrën për të huajt, Këshilli i Mosmarrëveshjeve për të Huajt jo gjithmonë i merrte në konsideratë këto materiale. Kështu, personat në fjalë pengoheshin të përcaktonin natyrën “e arsyeshme” të pretendimeve të tyre sipas nenit 3 të Konventës.
390. Gjykata arrin në përfundimin se, procedura për të kërkuar pezullimin e ekzekutimit sipas procedurës tejet urgjente nuk i plotëson kërkesat e nenit 13 të Konventës.
391. Fakti se, disa vendime ishin në kundërshtim me jurisprudencën e krijuar dhe kishin pezulluar transferimet në Greqi (shih paragrafin 149 më lart) nuk ndikojnë në këtë përfundim pasi, pezullimet nuk ishin bazuar në shqyrtimin e themelit të rrezikut të një shkelje sipas nenit 3, por më tepër sepse Këshilli i Mosmarrëveshjeve për të Huajt kishte konstatuar se Zyra për të Huajt nuk kishte dhënë arsye të mjaftueshme për vendimet e saj.
392. Gjykata vëren më tej se, kërkuesi ishte përballur gjithashtu me disa pengesa praktike në përdorimin e mjeteve ligjore të cilave iu referohej Qeveria. Ajo vëren se, kërkesa e tij për pezullimin e ekzekutimit sipas procedurës tejet urgjente u hodh poshtë për arsye procedurale, përkatësisht për mosparaqitje. Megjithatë, në kundërshtim me atë që Qeveria sugjeron, Gjykata vlerëson se, në bazë të rrethanave të çështjes, ky fakt nuk mund të konsiderohet një mungesë kujdesi nga ana e kërkuesit. Ajo nuk arrin të shohë se si avokati i tij mund të ishte paraqitur në kohë para Këshillit të Mosmarrëveshjeve për të Huajt. Sa i përket mundësisë për të kërkuar ndihmë nga shërbimi 24 orësh, Gjykata vëren gjithsesi se, Qeveria nuk kishte paraqitur asnjë provë për ekzistencën e një shërbimi të tillë në praktikë.
393. Lidhur me dobinë e vazhdimit të procedurave për shfuqizimin e urdhrit për t’u larguar nga vendi edhe pasi kërkuesi ishte transferuar, Gjykata vëren se shembulli i vetëm i paraqitur nga ana e Qeverisë (shih paragrafët 151 dhe 382) konfirmon besimin e kërkuesit se, sapo personi në fjalë ishte dëbuar Këshilli i Mosmarrëveshjeve për të Huajt e deklaron kërkesën të papranueshme, pasi nuk ka më asnjë kuptim rishikimi i urdhrit për t’u larguar nga vendi. Ndërsa është e vërtetë se Këshilli i Mosmarrëveshjeve për të Kuajt e shqyrtoi kërkesën sipas nenit 3 të Konventës në atë venim, Gjykata nuk mund të kuptojë sesi, pa efektin pezullues të vendimit të saj, Këshilli i Mosmarrëveshjeve për të Huajt ende mund t’i ofrojë kërkuesit dëmshpërblim të përshtatshëm, edhe nëse ka gjetur shkelje të nenit 3.
394. Përveç kësaj, Gjykata vëren se palët ndërhyrëse duket se bien dakord se kërkesa e ankuesit nuk kishte asnjë shans për sukses duke pasur parasysh jurisprudencën konstante, të përmendur më lart, të Këshillit të Mosmarrëveshjeve për të Huajt dhe Conseil d’Etat si dhe pamundësinë e kërkuesit për të demonstruar in concreto natyrën e pariparueshme të dëmit që rezultonte nga shkeljes e pretenduar. Gjykata rithekson se, ndërsa efektiviteti i një mjeti nuk varet nga siguria e një rezultati të favorshëm për kërkuesin, mungesa e çdo perspektive për të marrë një zgjidhje adekuate ngre një çështje në bazë të nenit 13 (shih Kudla, cituar më lart, § 157).
395. Së fundi, Gjykata thekson se, rrethanat e çështjes në fjalë në mënyrë të qartë ndryshojnë nga rasti Quraishi së cilit Qeveria i referohet. Në këtë të fundit, i cili ka të bëjë me ngjarjet që datojnë në vitin 2006 dhe procedurat para Këshillit të Mosmarrëveshjeve për të Huajt në vitin 2007, që do të thotë disa muaj pasi Këshilli filloi aktivitetin e tij, kërkuesit kishin marrë pezullimin e dëbimit të tyre me anë të ndërhyrjes së gjykatave. Për më tepër, kur Gjykata dëgjoi çështjen e tyre ata nuk ishin dëbuar, dhe rastet dhe jurisprudenca e Këshillit të Mosmarrëveshjeve për të Huajt në rastet e Dublinit nuk ishte konsoliduar ende.
396. Në lidhje me sa më sipër, Gjykata konstaton se, ka pasur shkelje të nenit 13 i shqyrtuar në lidhje me nenin 3. Ajo vijon se, kërkuesi nuk mund të fajësohet për mos shterimin e mjeteve të brendshme dhe se kundërshtimi paraprak i Qeverisë belge lidhur me këtë (shih paragrafin 335 më sipër), nuk mund të pranohet.
397. Duke pasur parasysh këtë përfundim dhe rrethanat e çështjes, Gjykata konstaton se, nuk është e nevojshme shqyrtimi i kërkesës sipas nenit 13 i shqyrtuar në lidhje me nenin 2.
VII. ZBATIMI I NENEVE 46 DHE 41 TË KONVENTËS
A. Neni 46 i Konventës
398. Neni 46 i Konventës parashikon:
“1. Palët e Larta Kontraktuese marrin përsipër të respektojnë vendimin e formës së prerë të Gjykatës në çdo çështje ku ato janë palë.
2. Vendimi i formës së prerë i Gjykatës i përcillet Komitetit të Ministrave, i cili mbikëqyr ekzekutimin e tij”.
399. Sipas nenit 46 të Konventës, Palët e Larta Kontraktuese marrin përsipër të respektojnë vendimin e formës së prerë të Gjykatës për çështjet ku ato janë palë dhe Komiteti i Ministrave është përgjegjës për mbikëqyrjen e ekzekutimit të vendimeve. Kjo do të thotë që kur Gjykata gjen një shkelje Shteti i paditur është i detyruar ligjërisht jo vetëm për të akorduar një shpërblim të drejtë palëve të interesuara sipas nenit 41, por edhe të miratojë masa të përgjithshme dhe/ose, kur është e zbatueshme, masa individuale. Duke qenë se vendimet e Gjykatës kanë në thelb natyrë deklarative, i takon Shtetit në fjalë për të zgjedhur, nën mbikëqyrjen e Komitetit të Ministrave, mjetet që do përdoren për të përmbushur detyrimin e saj ligjor sipas nenit 46 të Konventës, me kusht që ato mjete të jenë në përputhje me konkluzionet e përfshira në vendimin e Gjykatës. Megjithatë, në situata të caktuara të veçanta, Gjykata mund ta vlerësojë të dobishme për t’i treguar Shtetit të paditur llojin e masave që mund të adoptojë në mënyrë që t’i japë fund situatës - shpesh sistematike - që çoi në shkeljen e konstatuar nga Gjykata (shih, për shembull, Öcalan kundër Turqisë [GC], nr. 46221/99, § 210, ECHR 2005-IV, dhe Popov kundër Rusisë, nr. 26853/04, § 263, 13 korrik 2006). Ndonjëherë natyra e shkeljes së konstatuar mund të jetë e tillë që të mos lërë asnjë zgjedhje të mundshme për sa i përket masave të nevojshme për ta ndrequr atë (shih Assanidzé kundër Gjeorgjisë [GC], nr. 71503/01, 8 prill 2004, § 198, ECHR 2004-II; Verein gegen Tierfabriken Schëeiz (VGT) kundër Zvicrës (nr. 2) [GC], nr. 32772/02, 30 qershor 2009, §§ 85 dhe 88, ECHR 200 - ..).
400. Në rastin konkret Gjykata e konsideron të nevojshme për të treguar disa masa të veçanta që kërkohen për ekzekutimin e vendimit aktual në lidhje me kërkuesin, pa paragjykuar masat e përgjithshme që kërkohen për të parandaluar shkelje të tjera të ngjashme, në të ardhmen (shih, mutatis mutandis, Broniowski kundër Polonisë [GC], nr. 31443/96, § 193, ECHR 2004-V).
401. Gjykata ka konstatuar shkelje nga ana e Greqisë të nenit 3 të Konventës për shkak të kushteve të jetesës së kërkuesit në Greqi kombinuar me pasigurinë e zgjatur në të cilën ai jetoi dhe mungesën e çdo perspektive për përmirësimin e gjendjes së tij (shih paragrafin 263 më lart). Ajo ka konstatuar gjithashtu shkelje të nenit 13 të shqyrtuar në lidhje me nenin 3 të Konventës për shkak të mangësive në procedurën e azilit për kërkuesin dhe rrezikun e kthimit në Afganistan pa ndonjë shqyrtim serioz të kërkesës së tij për azil dhe pa akses nga e tij në mjete efektive ligjore (shih paragrafin 322 më lart).
402. Duke pasur parasysh rrethanat e veçanta të rastit dhe nevojës urgjente për t’i ndaluar këto shkelje të neneve 13 dhe 3 të Konventës, Gjykata e konsideron të detyrueshme për Greqinë që të vazhdojë me shqyrtimin në themel të kërkesës për azil të kërkuesit pa vonesë dhe në përputhje me kërkesat e Konventës dhe gjithashtu, mos dëbimin e tij deri në pritje të rezultatit të shqyrtimit.
B. Zbatimi i nenit 41 të Konventës
403. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
1. Dëmi jo material
(a) Në lidhje me Greqinë
404. Kërkuesi pretendoi kompensim për dëmin jo material të pësuar gjatë dy periudhave të ndalimit në shumën 1000 euro.
405. Qeveria greke e kundërshtoi pretendimin e kërkuesit si të pabazuar.
406. Gjykata ka konstatuar se kushtet e ndalimit të kërkuesit ishin në shkelje të nenit 3 të Konventës. Ajo konsideron se kërkuesi duhet të ketë përjetuar vuajtje të caktuar e cila nuk mund të kompensohen vetëm me konstatimet e shkeljeve nga ana e Gjykatës. Duke pasur parasysh natyrën e shkeljeve të konstatuara në rastin konkret, Gjykata çmon të drejtë për të mbështetur pretendimin e kërkuesit dhe i akordon atij shumën prej 1000 euro në lidhje me dëmin jo material.
(b) Në lidhje me Belgjikën
407. Kërkuesi pretendoi kompensim për dëmin jo material të pësuar si rrjedhojë e mbajtjes së tij në një qendër të izoluar në Belgjikë para transferimit të tij në Greqi në shumën 6925 euro dhe gjithashtu kompensimin e dëmit material për transferimin në Greqi në shumën 24900 euro.
408. Qeveria belge argumentoi se nëse Gjykata do e gjente Belgjikën përgjegjëse, kërkuesi mund t’i ishte drejtuar gjykatave belge për të marrë kompensim për çdo dëm jo material si pasojë e ndalimit të tij. Në çdo rast Qeveria e konsideron kërkesën të pabazuar, pasi kërkuesi nuk ka arritur të tregojë ndonjë gabim nga ana e Shtetit belg, apo të krijojë një lidhje shkakësore midis gabimit të pretenduar dhe dëmin jo material të pësuar.
409. Gjykata rithekson se, ajo mund të caktojë shuma në lidhje me shpërblimin e drejtë të parashikuar në nenin 41, kur humbja ose dëmi i pretenduar janë shkaktuar nga shkelja e konstatuar, ndërsa Shteti nuk është i detyruar të paguajë shuma në lidhje me dëmin për të cilin ai nuk është përgjegjës (shih Saadi, cituar më sipër, § 186). Në rastin konkret, Gjykata nuk ka gjetur shkelje të Konventës për shkak të ndalimit të kërkuesit në Belgjikë para transferimit të tij në Greqi. Ajo refuzon këtë pjesë të kërkesës.
410. Në lidhje me dëmin e pretenduar për shkak të transferimit në Greqi, Gjykata ka konstatuar se transferimi i kërkuesit çoi në shkeljen e nenit 3 të Konventës për dy arsye: së pari sepse ajo e ekspozoi kërkuesin ndaj trajtimit të ndaluar sipas asaj dispozite, kur ishte i ndaluar dhe gjatë qëndrimit të tij në Greqi, dhe së dyti sepse e ekspozoi atë ndaj rrezikut të mangësive në procedurën e azilit në Greqi. Ajo përsërit se fakti që kërkuesi mund të kërkojë kompensim në gjykatat belge nuk e detyron Gjykatën për të refuzuar kërkesën si të pabazuar (shih De Wilde, Ooms dhe Versyp kundër Belgjikës (Neni 50), 10 mars 1972, § 16, Seria A nr. 14).
411. Ajo konsideron se kërkuesi duhet të ketë përjetuar vuajtje të caktuara të cilat nuk mund të kompensohen vetëm me konstatimet e shkeljeve nga ana e Gjykatës. Duke pasur parasysh natyrën e shkeljeve të konstatuara në rastin konkret, Gjykata çmon të drejtë të mbështesë pretendimin e kërkuesit dhe i jep atij shumën prej 24900 euro në lidhje me dëmin jo material.
2. Kosto dhe Shpenzime
(a) Në lidhje me Greqinë
412. Kërkuesi pretendoi rimbursimin e kostos së mbrojtjes së tij para Gjykatës kundër Qeverisë greke. Sipas listës së tarifave dhe shpenzimeve të paraqitura nga avokati i kërkuesit, kostot dhe shpenzimet që nga 15 mars 2010 arrijnë në shumën 3450 euro për 75 orë shërbim. Avokati tregoi se, ai kishte rënë dakord me kërkuesin se ky i fundit do ta paguante me këste bazuar në tarifën e mësipërme për orë në qoftë se ai do ta fitonte çështjen para Gjykatës.
413. Qeveria kundërshtoi pretendimin e kërkuesit si të pabazuar dhe të tepruar.
414. Gjykata e konsideron të vërtetuar se kërkuesi efektivisht i kishte kryer shpenzimet e pretenduara, pasi duke qenë një klient, ai ka hyrë në një detyrim ligjor për të paguar përfaqësuesin e tij ligjor për atë që kanë rënë dakord (shih, mutatis mutandis, Sanoma Uitgevers B.V. kundër Holandës, nr. 38224/03, § 110, 31 mars 2009). Duke pasur parasysh gjithashtu se, kostot dhe shpenzimet në fjalë ishin të nevojshme dhe të arsyeshme në masë, Gjykata i akordon kërkuesit shumën prej 3450 euro.
(b) Në lidhje me Belgjikën
415. Kërkuesi pretendoi rimbursimin e kostos së mbrojtjes së tij para Gjykatës kundër Qeverisë greke dhe para gjykatave belge. Sipas listës së tarifave dhe shpenzimeve të paraqitura nga avokati i kërkuesit, kostot dhe shpenzimet që nga 15 marsi 2010 arrijnë në shumën 7680 euro për 75 orë shërbim, 1605 euro për procedurat para gjykatave belge dhe. Avokati i kërkuesit ka dorëzuar një listë të taksave dhe shpenzimeve sipas të cilit kostot dhe shpenzimet si në 15 mars 2010 arritën euro 7680 bazuar në një tarifë për orë prej 75, EUR 1605 ishin deklaruar për procedurë para gjykatave belge dhe 6075 euro për procedurat para Gjykatës kundër Belgjikës.
416. Qeveria belge i kërkoi Gjykatës të refuzonte kërkesën. Ata parashtruan se kërkuesi kishte të drejtë për ndihmë juridike falas dhe për ndihmë lidhur me shpenzimet ligjore. Pra këto kosto kishin qenë të panevojshme. Avokati i tij mund të marrë kompensim për shpenzimet e bëra para gjykatave belge dhe para Gjykatës në përputhje me dispozitat e Kodit Gjyqësor lidhur me ndihmën juridike. Kodi parashikonte një sistem rimbursimi në formën e "pikave" që korrespondonin me shërbimet e ofruara nga avokati. Në vitin 2010 një pikë ishte e barabartë me 26.91 euro. Kjo vlerë në vitin 2009 ishte 23.25 euro. Në përputhje me këto dispozita avokati tashmë do kishte qenë i autorizuar për të marrë pagesën për shpenzimet e bëra në vitin 2009. Qeveria gjithashtu vuri në dukje se sipas nenit 1022 të Kodit Gjyqësor lidhur me rimbursimin e kostove ligjore, pala e cila humb çështjen ishte e detyruar të paguante të gjitha ose një pjesë të shpenzimeve ligjore të palës tjetër. Në rastet kur procedura nuk mund të vlerësohen në terma monetare, shuma e pagueshme përcaktohej nga ana e gjykatave. Kur jepej ndihmë juridike dhe shpenzimet e dhëna në procedurë ishin më të larta, Thesari mund të merrte mbrapsht shumën e paguar në ndihmë ligjore.
417. Avokati i kërkuesit konfirmoi se ai kishte qenë i emëruar nga Shteti belg si një avokat i ndihmës ligjore, por vetëm për të mbrojtur kërkuesin para gjykatës së shkallës së parë. Për këtë ai kishte të drejtën e "dhjetë pikëve". Ai deklaroi se, ai nuk kishte marrë ende ndonjë pagesë për ndihmën ligjore. Për procedurat e tjera ai kishte rënë dakord me kërkuesin se ky i fundit do ta paguajë atë me këste bazuar në tarifën e mësipërme për orë në qoftë se ai e fitonte çështjen para Gjykatës. Ky angazhim është përmbushur pjesërisht. Sipas kërkuesit, nuk kishte asnjë rrezik që autoritetet belge t’i paguanin atij më shumë pasi shpenzimet procedurale zbriteshin nga ndihma juridike e pagueshme. Më tej pohoi se, nëse të parat tejkalonin këto të fundit avokati i tij do të kërkojë nga zyra e ndihmës juridike të ndalonte ndihmën juridike dhe se në qoftë se kostot dhe shpenzimet e dhëna nga Gjykata ishin më të larta se shuma e dhënë në ndihmë ligjore, avokati i tij nuk do të merrte asgjë lidhur me ndihmën juridike.
418. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, vetëm kostot ligjore dhe shpenzimet të cilat janë të vërteta, domosdoshme dhe të arsyeshme në masë, mund të akordohen sipas nenit 41 të Konventës. Për më tepër, kostot ligjore janë të pagueshme vetëm për aq sa ato lidhen me shkeljen e konstatuar (shih, midis të tjerash, Sanoma Uitgevers B.V.kundër Holandës, cituar më sipër, 109).
419. Gjykata së pari merr në shqyrtim kostot dhe shpenzimet që lidhen me procedurën para gjykatave vendase. Ajo vëren se, kërkuesi nuk ka bërë një ndarje të shumës së pretenduar sipas procedurave të ndryshme. Kjo e pengon atë për të përcaktuar saktësisht se çfarë shume i korrespondon shkeljeve të gjetura në këtë rast dhe në çfarë mase ato kanë qenë ose mund të mbulohen nga ndihma juridike. Për shkak të kësaj mungese të qartësisë (shih, mutatis mutandis, Musial kundër Polonisë [GC], nr. 24557/94, § 61, ECHR 1999 II), Gjykata refuzon këto pretendime.
420. Duke iu referuar kostove dhe shpenzimeve të procedurës para saj kundër Belgjikës, Gjykata rithekson se ajo nuk e konsideron veten të detyruar nga shkallët dhe praktikat e brendshme, pavarësisht se ajo mund të frymëzohet prej tyre (shih Venema kundër Holandës, nr. 35731/97, § 116, ECHR 2002-X).
(c) Në lidhje me Greqinë dhe Belgjikën
421. Kërkuesi së fundmi pretendoi rimbursimin e kostove dhe tarifave në lidhje me seancën para Gjykatës. Sipas listës së tarifave dhe shpenzimeve të paraqitura nga avokati i kërkuesit, ato arrijnë vlerën 2550 euro për parashtrimet dhe përgatitjen e tyre (për 75 orë). Pa dorëzuar ndonjë faturë, ai gjithashtu pretendoi rimbursimin prej 296,74 euro për udhëtimet e në Strasburg dhe strehimin atje të avokatit të tij.
422. Sipas jurisprudencës së saj, Gjykata refuzon pjesën e kërkesës që nuk është provuar sipas faturave të nevojshme.
423. Për pjesën e mbetur, duke e konsideruar të vërtetuar se shpenzimet dhe kostot e pretenduara ishin të nevojshme dhe të arsyeshme në masë i jep kërkuesit shumën prej 2550 euro. Duke pasur parasysh përgjegjësinë për shkeljet e ndryshme të Konventës të konstatuara nga Gjykata, Belgjika dhe Greqia do të paguajnë secila gjysmën e kësaj shume.
(d) Interesi i munguar
424. Gjykata çmon të nevojshme se interesi i mospagimit, duhet të bazohet në përqindjen ditore të kreditimit të Bankës Qendrore Evropiane, së cilës duhet t’i shtohen tre pikë përqindjeje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Bashkon me themelin kundërshtimet paraprake të Qeverise greke me gjashtëmbëdhjetë vota pro dhe një kundër, dhe i rrëzon ato;
2. Deklaron njëzëri të pranueshme, kërkesën sipas nenit 3 të Konventës lidhur me kushtet në të cilat është mbajtur i ndaluar kërkuesi në Greqi;
3. Vendos njëzëri se ka pasur shkelje të nenit 3 të Konventës nga ana e Greqisë për shkak të kushteve në të cilat është mbajtur i ndaluar kërkuesi;
4. Deklaron me shumicë të pranueshme kërkesën sipas nenit 3 të Konventës lidhur me kushtet e jetesës së kërkuesit në Greqi;
5. Vendos me gjashtëmbëdhjetë vota pro dhe një kundër se ka pasur shkelje të nenit 3 të Konventës për sa i përket kushteve të jetesës së kërkuesit në Greqi;
6. Deklaron njëzëri të pranueshme, kërkesën kundër Greqisë sipas nenit 13 të shqyrtuar në lidhje me nenin 3 të Konventës;
7. Vendos njëzëri se ka pasur shkelje nga ana e Greqisë të nenit 13 të shqyrtuar në lidhje me nenin 3 të Konventës për shkak të mangësive në procedurën e azilit së cilës i ishte nënshtruar kërkuesi dhe rrezikun e kthimit të tij në Afganistan pa një shqyrtim paraprak në themel të kërkesës së tij për azil dhe pa akses në mjete ligjore efektive;
8. Vendos njëzëri, se nuk është e nevojshme të shqyrtohen pretendimet kërkuesit të bazuara në nenin 13 të marrë në lidhje me nenin 2 të Konventës;
9. Bashkon njëzëri me themelin kundërshtimet paraprake të Qeverise belge, i rrëzon ato dhe e deklaron njëzëri të pranueshme kërkesën kundër Belgjikës;
10. Vendos me gjashtëmbëdhjetë vota pro dhe një kundër se ka pasur shkelje të nenit 3 të Konventës nga Belgjika për shkak të transferimit të kërkuesit në Greqi, pasi duke bërë kështu e kishin ekspozuar atë ndaj rrezikut të lidhur me mangësitë në procedurën e azilit në atë Shtet;
11. Vendos njëzëri se nuk është e nevojshme të shqyrtohen pretendimet e bazuara në nenin 2 të Konventës;
12. Vendos me pesëmbëdhjetë vota pro dhe dy kundër se ka pasur shkelje të nenit 3 të Konventës nga Belgjika për shkak të transferimit të kërkuesit në Greqi pasi duke bërë kështu e kishin ekspozuar atë ndaj kushteve të ndalimit dhe jetesës në atë Shtet të cilat ishin në kundërshtim me Konventën;
13. Vendos njëzëri se ka pasur shkelje nga ana e Qeverisë belge të nenit 13 të shqyrtuar në lidhje me nenin 3 të Konventës;
14. Vendos njëzëri, se nuk është e nevojshme të shqyrtohen pretendimet kërkuesit të bazuara në nenin 13 të marrë në lidhje me nenin 2 të Konventës;
15. Vendos njëzëri,
(a) Se Shteti grek duhet t’i paguajë brenda tre muajve kërkuesit shumat e mëposhtme,
(i) 1000 euro (një mijë euro) në lidhje me dëmin jomaterial, plus çdo taksë që mund të jetë e zbatueshme mbi këtë shumë;
(ii) 4725 (katër mijë e shtatë qind e njëzet e pesë euro) në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e zbatueshme mbi këtë shumë;
(b) Se nga mbarimi i afatit tremujor deri në ditën e pagesës, do të zbatohet interesi i thjeshte mbi shumën e mësipërme, në një përqindje të barabartë me përqindjen ditore të kreditimit nga Banka Qendrore Evropiane, gjatë periudhës se mospagimit, plus tre pikë përqindjeje;
16. Vendos,
(a) Se Shteti belg duhet t’i paguajë brenda tre muajve kërkuesit shumën 24900 euro (njëzet e katër mijë e nëntëqind euro) në lidhje me dëmin jo material plus çdo taksë që mund të jetë e zbatueshme mbi këtë shumë, me pesëmbëdhjetë vota pro dhe dy kundër;
(b) Se Shteti belg duhet t’i paguajë brenda tre muajve kërkuesit shumën prej 7359 euro (shtatë mijë e tre qind e pesëdhjetë e nëntë euro) në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e zbatueshme mbi këtë shumë, me gjashtëmbëdhjetë vota pro dhe një kundër;
(c) Se nga mbarimi i afatit tremujor deri në ditën e pagesës, do të zbatohet interesi i thjeshte mbi shumën e mësipërme, në një përqindje të barabarte me përqindjen ditore të kreditimit nga Banka Qendrore Evropiane, gjatë periudhës se mospagimit, plus tre pikë përqindjeje;
17. Hedh poshtë pjesën e mbetur të pretendimeve të kërkuesve për shpërblim të drejtë.
Përgatitur në gjuhën angleze dhe franceze dhe njoftuar në seancë publike më 21 janar 2011 në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg.
Michael O’BoyleJean-Paul Costa
Zëvendës KancelarPresident
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jotregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund) Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Tout personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy