SEKSIONI I DYTË
ÇËSHTJA MUÇA
KUNDËR SHQIPËRISË
(Kërkesa nr. 57456/11)
VENDIM
STRASBURG
22 maj 2018
I FORMËS SË PRERË
22.8.2018
Ky vendim është bërë i formës së prerë bazuar në nenin 44 § 2 të Konventës. Ai mund të bëhet objekt i rishikimit redaktues.
Në çështjen Muça kundër Shqipërisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Dytë), e mbledhur së një Dhomë e përbërë nga:
Robert Spano, kryetar,
Paul Lemmens,
Ledi Bianku,
Işıl Karakaş,
Nebojša Vučinić,
Jon Fridrik Kjølbro,
Stéphanie Mourou-Vikström, gjyqtarë,
dhe Stanley Naismith, kryesekretar,
pasi diskutuan me dyer të mbyllura në datën 17 prill 2018,
shpall vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në po atë datë:
PROCEDURA
1. Çështja filloi me një kërkesë (nr. 57456/11) kundër Republikës së Shqipërisë, paraqitur në Gjykatë me datë 25 gusht 2011, mbështetur në nenin 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (“Konventa”), nga një shtetas shqiptar, z. Blerim Muça (“kërkuesi”).
2. Kërkuesi u përfaqësua nga z. V. Muzina, një avokat i cili ushtron detyrën në Durrës. Qeveria shqiptare (“Qeveria”) u përfaqësua nga agjenti i saj, në atë kohë, znj. L. Mandia nga Avokatura e Shtetit.
3. Në datën 25 gusht 2011, kërkuesi dërgoi një kërkesë në Gjykatë, me pretendimin se ishte shkelur neni 6 § 1 i Konventës. Kërkesa arriti në Gjykatë më 31 gusht 2011.
4. Në datën 21 nëntor 2011, kërkuesi i dërgoi Gjykatës një kërkesë tjetër, të ngjashme me atë që tashmë u dërgua në gusht 2011. Kërkesa arriti në Gjykatë në datën 24 nëntor 2011.
5. Në datën 26 qershor 2012, kërkesa iu komunikua Qeverisë.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
6. Kërkuesi ka lindur në vitin 1970 dhe jeton në Tiranë.
7. Në një datë të paspecifikuar, ndaj kërkuesit dhe dy të bashkakuzuarve të tjerë u ngritën procedime penale për vrasje të paramenduar. Si pasojë, kërkuesi u arrestua nga autoritetet.
8. Në datën 21 korrik 1998, kërkuesi adresoi një shkresë në Gjykatën e Rrethit Kavajë (“Gjykata e Rrethit”) dhe prokurorit të rrethit Kavajë (“prokurori i rrethit”), duke pohuar se kishte angazhuar A., një avokat, për ta përfaqësuar atë përpara prokurorit të rrethit gjatë hetimit dhe gjatë procedimeve gjyqësore. Rezulton se kërkuesi e ka shkruar këtë shkresë teksa ishte në paraburgim.
9. Në datën 1 nëntor 1999, Gjykata e Rrethit e shpalli kërkuesin të pafajshëm dhe urdhëroi lirimin e tij. Ai kishte ndjekur gjykimin dhe ishte mbrojtur nga A., avokati i zgjedhur prej tij. Dy të bashkakuzuarit e tjerë u shpallën fajtorë dhe u dënuan.
10. Në një datë të paspecifikuar, dy të bashkakuzuarit e tjerë dhe prokurori apeluan ndaj vendimit të Gjykatës së Rrethit, i datës 1 nëntor 1999.
11. Në një datë të paspecifikuar, kërkuesi u largua nga Shqipëria. Rezulton se kërkuesi nuk ishte informuar për apelimet e dy të bashkakuzuarve të tjerë dhe të prokurorit, por mesa duket, A. ishte informuar për një gjë të tillë.
12. Në datën 28 shkurt 2000, Gjykata e Apelit Durrës (“Gjykata e Apelit”) anuloi vendimin e Gjykatës së Rrethit dhe e ridërgoi çështjen për rishqyrtim. Kërkuesi u përfaqësua nga A., në mungesë të tij.
13. Në datën 21 prill 2000, Gjykata e Lartë e kundërshtoi apelimin e kërkuesit paraqitur nga A. kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës, të datës 28 shkurt 2000.
14. Në datën 26 dhjetor 2000, gjatë procedimeve të rigjykimit, Gjykata e Rrethit e shpalli kërkuesin fajtor në mungesë për vrasje të paramenduar dhe e dënoi atë me njëzet e tre vjet burgim. Kërkuesi u përfaqësua nga avokati A. (shih paragrafin 9). Vendimi pohonte se A. ishte caktuar nga gjykata. Dy të bashkakuzuarit e tjerë apeluan.
15. Në datën 10 shtator 2001 dhe 14 dhjetor 2001, Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë, respektivisht, lanë në fuqi vendimin e datës 26 dhjetor 2000. Gjatë këtyre procedimeve, kërkuesi u përfaqësua nga një avokat i ri i caktuar nga gjykata.
16. Në datën 14 prill 2004, nëna e kërkuesit punësoi një avokat tjetër, K., për të përgatitur një kërkesë për rishikim. Nga vendimi i Gjykatës së Lartë, i datës 9 korrik 2010 (shih paragrafin 18 më poshtë) dhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i datës 25 shkurt 2011 (shih paragrafin 21 më poshtë) rezulton se kërkesa për rishikim u kundërshtua nga Gjykata e Lartë. Nuk gjendet asnjë kopje e vendimit në fjalë të Gjykatës së Lartë në dosjen e çështjes.
17. Në datën 8 korrik 2005, kërkuesi u informua për shpalljen e tij fajtor në mungesë, nga familjarët e tij. Ai paraqiti një kërkesë për rivendosje në afat, kundër vendimit të datës 26 dhjetor 2000, me argumentin se nuk ishte informuar kurrë për shpalljen e tij fajtor në mungesë, sepse jetonte jashtë vendit. Kërkuesi përfaqësohej nga K., si mbrojtësi i tij.
18. Në datën 4 nëntor 2005, 29 shtator 2006 dhe 9 korrik 2010, respektivisht, Gjykata e Rrethit dhe Gjykata e Apelit e pushuan dhe Gjykata e Lartë e rrëzoi, kërkesën e tij. Gjykatat vendëse gjykuan se kërkuesi duhej të ishte bërë me dije për procedimet, përderisa ai ishte përfaqësuar nga një avokat i zgjedhur prej tij, A., i cili ishte informuar në lidhje me apelimin e prokurorit, dhe sepse nëna e tij kishte caktuar një avokat për të përgatitur një kërkesë për rishikim. Gjithashtu, ato gjykuan se çështja tashmë ishte shqyrtuar në të gjitha shkallët dhe se vendimet e tyre ishin ende në fuqi.
19. Gjyqtari A.H., i cili kishte qenë anëtar i trupit gjykues të Gjykatës së Rrethit, që kishte shpallur vendimin e datës 26 dhjetor 2000, ishte pjesë i trupit gjykues edhe në Gjykatën e Rrethit, në datën 4 nëntor 2005, i cili pushoi kërkesën e kërkuesit. Gjyqtarët V.C. dhe SH.M., të cilët kishin qenë anëtarë të trupit gjykues të Gjykatës së Apelit, e cila më 10 shtator 2001 la në fuqi vendimin e datës 26 dhjetor 2000, ishin pjesë edhe të trupit gjykues të Gjykatës së Apelit, i cili pushoi apelimin e tij, në datën 29 shtator 2006.
20. Në një datë të specifikuar, kërkuesi, i përfaqësuar nga avokati i tij, dorëzoi një ankesë kushtetuese në lidhje me pretendimin për padrejtësi gjatë procedimeve në mungesë dhe mungesës së paanshmërisë së Gjykatës së Rrethit dhe Gjykatës së Apelit.
21. Në datën 16 mars 2011, avokati i kërkuesit u informua në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 25 shkurt 2011, për pushimin e apelimit kushtetues të kërkuesit. Gjykatë Kushtetuese, duke theksuar se A. dhe nëna e kërkuesit ishin bërë me dije për procedimet gjyqësore, u shpreh se nuk kishte pasur rrethana të veçanta, që ta pengonin kërkuesin t’i ndiqte procedimet personalisht. Ajo nuk shqyrtoi pretendimin e kërkuesit për paanshmëri nga ana e Gjykatës së Rrethit dhe Gjykata e Apelit.
II. LIGJI DHE PRAKTIKA PËRKATËSE VENDËSE
22. Ligji dhe praktika përkatëse vendëse, në periudhën në fjalë, përshkruhen në detaje në vendimet Shkalla kundër Shqipërisë (nr. 26866/05, §§ 28–35, 10 maj 2011) dhe Izet Haxhia kundër Shqipërisë (nr. 34783/06, §§ 19–42, 5 nëntor 2013).
LIGJI
I. PRETENDIME PËR SHKELJE TË NENIT 6 § 1 TË KONVENTËS
23. Kërkuesi u ankua për padrejtësi të procedimeve në mungesë të tij, si edhe për mungesën e paanshmërisë së gjyqtarëve, të cilët morën pjesë në shqyrtimin e çështjes së tij, pasi ishte përfshirë në raundin e parë të procedimeve. Ai iu referua nenit 6 § 1 të Konventës, i cili, në pjesët e lidhura me situatën, parashikon si më poshtë:
“1. Në përcaktimin e … çdo akuze penale kundër tij, çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësish … nga [një] …gjykatë e pavarur dhe e paanshme...”
24. Qeveria e mohoi faktin të kishte pasur ndonjë shkelje të këtij parashikimi.
A. Pranueshmëria
25. Qeveria argumentoi se kërkesa ishte dorëzuar përtej afatit kohor prej gjashtë muajsh parashikuar në Konventë, pasi kërkuesi e kishte paraqitur kërkesën në datën 24 nëntor 2011.
26. Kërkuesi këmbënguli se kërkesa ishte paraqitur brenda afatit kohor prej gjashtë muajsh.
27. Gjykata vëren se kërkuesi e kishte dërguar formularin e kërkesës në datë 25 gusht 2011 dhe ky i fundit mbërriti në Gjykatë me postë në datën 31 gusht 2011. Bazuar në materialin dërguar përpara tij, Gjykata nuk gjen asnjë arsye për të konstatuar se kërkesa është dërguar përtej afatit. Formulari i kërkesës së dytë dërguar më 21 nëntor 2011, ishte një dokument shtesë, i cili nuk ndikon në kërkesën fillestare. Për këtë arsye, Gjykata rrëzon kundërshtimin e Qeverisë.
28. Gjykata vëren se kjo ankesë nuk është qartazi e pabazuar në fakte, sipas interpretimit të nenit 35 § 3 (a) të Konventës. Në vijim, ajo vëren se kërkesa nuk është e papranueshme për ndonjë arsye tjetër. Për këtë arsye, duhet e deklaruar e pranueshme.
B. Meritat
1. Procedimet në mungesë
29. Kërkuesi parashtroi se ai ishte larguar nga Shqipëria pasi Gjykata e Rrethit e liroi atë sipas vendimit të datës 1 nëntor 1999. Ai nuk kishte pasur dijeni për procedimet ndaj tij. Për këta arsye, autoritetet e gjykuan dhe e shpallën atë fajtor në mungesë. Gjithashtu, ai deklaroi se dijenia e nënës së tij në lidhje me këto procedime, nuk i bënte të drejta procedimet për aq kohë sa ai nuk kishte dijeni për to. Gjithashtu, ai debatoi për faktin se familjarët e tij kishte paraqitur një kërkesë për rishikim (shih paragrafët 16, 18 dhe 21 më sipër). Gjykatat vendëse nuk kishin marrë në konsideratë vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 30, të datës 17 qershor 2010 (shih Izet Haxhia, cituar më sipër, § 35).
30. Qeveria pranoi se kërkuesi ishte gjykuar dhe shpallur fajtor në mungesë. Megjithatë, Qeveria argumentoi se procedimet vendëse nuk kishin qenë të padrejta. Kërkuesi ishte përfaqësuar nga një avokat i zgjedhur prej tij. Ai ishte i pranishëm në procedimet përpara Gjykatës së Rrethit, e cila e kishte deklaruar të pafajshëm në datën 1 nëntor 1999. Avokati i tij A. Ishte informuar për apelimin e paraqitur ndaj atij vendimi. A. kishte qenë po ashtu i pranishëm në procedimet përpara Gjykatës së Apelit, e cila, më 28 shkurt 2000, e kishte ridërguar çështjen për rishqyrtim. A. po ashtu, kishte apeluar në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të Gjykatës së Apelit të datës 28 shkurt 2000.
31. Gjithashtu, Qeveria parashtroi se familjarët e kërkuesit kishin pasur dijeni për procedimet. Ata kishin qenë rregullisht të pranishëm në procedimet gjyqësore ose kishin angazhuar rregullisht avokatë për të përfaqësuar kërkuesin. Në të vërtetë, nëna e tij kishte punësuar një avokat për të përgatitur kërkesën për rishikimin e vendimit të formës së prerë, në emër të kërkuesit. Për më tepër, angazhimi i të njëjtit avokat – K. – kishte treguar se vullneti i kërkuesit kishte qenë i njëjtë si ai i nënës së tij.
32. Në parashtrimet e tyre shtesë, Qeveria pohoi se kërkuesi kishte dhënë miratimin për t’u gjykuar në mungesë, sepse kishte bërë me dije për gjykimin ndaj tij. Vendimi i Gjykatës së Rrethit, i datës 1 nëntor 1999 nuk kishte qenë i formës së prerë, dhe për këtë arsye ishte i hapur për t’u apeluar. Pretendimi i kërkuesit për rivendosje në afat ishte pushuar me arsyetimin se asgjë nuk e kishte penguar të merrte pjesë në procedime.
33. Gjykata thekson se parimet e përgjithshme në lidhje me procedimet në mungesë përcaktoheshin në vendimin Sejdovic kundër Italisë ([DHM], nr. 56581/00, §§ 81–95, GJEDNJ 2006–II). Në vijim, Gjykata thekson se edhe pse procedimet të cilat zhvillohen në mungesë të të pandehurit në vetvete nuk pajtohen me nenin 6 të Konventës, gjithsesi, drejtësia mohohet në rastin kur një person i dënuar në mungesë nuk mund të marrë nga gjykata, e cila ka dëgjuar çështjen e tij, një përcaktim të ri të themelit të akuzës, si për ligjin edhe për faktin, për aq kohë sa nuk është përcaktuar se ai ka hequr dorë nga e drejta e tij për t’u paraqitur dhe për t’u vetëmbrojtur (shih Sejdovic, cituar më sipër, § 82, dhe Hokkeling kundër Holandës, nr. 30749/12, § 58, 14 shkurt 2017).
34. Duke u rikthyer në çështjen konkrete, Gjykata thekson se kërkuesi kishte qenë i pranishëm dhe ishte asistuar nga një avokat i zgjedhur prej tij në procedimet në shkallën e parë (ndryshe nga vendimi Shkalla, cituar më sipër, në të cilin kërkuesi nuk ishte informuar për procedimet), në fund të të cilit gjykata e shpalli të pafajshëm dhe urdhëroi lirimin e tij. Pasi u lirua, kërkuesi u largua jashtë vendit. Megjithatë, pas apelimeve të të bashkakuzuarve të tjerë dhe të prokurorit, kërkuesi u shpall fajtor në mungesë. Në këtë aspekt, gjykata thekson se edhe pse avokati i zgjedhur prej tij vijoi ta përfaqësonte në apel, nuk mund të nënkuptohet se avokati po vepronte sipas udhëzimeve eksplicite të kërkuesit. Në fakt, gjatë procedimeve të rigjykimit, kërkuesin vazhdoi ta përfaqësonte i njëjti avokat, pasi ai ishte caktuat nga gjykata (krahaso dhe bëj ndryshimin me vendimin Medenica kundër Szvicrës, nr. 20491/92, GJEDNJ 2001–VI). Në procedimet e rigjykimit në vijim, kërkuesi u përfaqësua nga një tjetër avokat i zgjedhur nga gjykata. Qeveria nuk parashtroi ndonjë provë për të kundërtën.
35. Së fundmi, bazuar në dokumentet në dosjen e çështjes, Gjykata nënvizon se nuk mund të thuhet se caktimi i një avokati nga familjarët për përgatitjen e një kërkese për rishikim, kishte miratimin ose pëlqimin e kërkuesit. Nuk mund të nënkuptohet se nisur nga fakti se kërkuesi u mbrojt nga një avokat i caktuar nga nëna e tij, kërkuesi ka pasur dijeninë e duhur për apelimin dhe procedurat e rigjykimit.
36. Për të gjitha parashtrimet e mësipërme, Gjykata konstaton se nuk provohet se kërkuesi ka pasur mjaftueshëm dijeni për procedimet e apelimit ose se ka pasur mjaftueshëm dijeni për procedimet e rigjykimit ndaj tij. Më tej, nuk ka asnjë tregues në dosjen e çështjes për faktin se autoritetet kanë bërë çdo përpjekje për ta njoftuar. Gjithashtu, nuk është provuar se ai ka autorizuar në mënyrë eksplicite ose të nënkuptuar veprimet e familjarëve të tij ose të avokatit të tij, ose se ka hequr dorë qartazi nga e drejta e tij për t’u paraqitur në gjykatë, duke iu fshehur qëllimisht drejtësisë. në vijim, Gjykata thekson se kërkuesi ka paraqitur pa sukses një kërkesë për rishikim në afat (shih Shkalla, cituar më sipër § 75, dhe Izet Haxhia, cituar më sipër, § 63), për këtë arsye, ai mjet rezultoi se nuk ishte efikas.
37. Për sa më sipër, Gjykata konstaton se kërkuesi nuk pati mundësinë të përfitonte një përcaktim të ri të themelit të akuzave ndaj tij nga një gjykatë, çka do t’i mundësonte të vijonte më tej me çështjen e tij në procedime bazuar në garancitë për drejtësi të nenit 6.
38. Për këtë arsye, është shkelur neni 6 i Konventës.
2. Paanshmëria e Gjykatës së Rrethit dhe Gjykatës së Apelit
39. Gjithashtu, kërkuesi u ankua, mbështetur në nenin 6 § 1, për mungesë paanshmërie të trupave gjykues të Gjykatës së Rrethit gjatë procedimeve të datës 4 nëntor 2005 dhe të Gjykatës Apelit në procedimet e datës 29 shtator 2006.
40. Gjykata thekson se ekzistenca e paanshmërisë sipas qëllimeve të nenit 6 § 1 duhet të përcaktohet mbi një kontroll subjektiv ku duhet marrë në konsideratë nëse një gjyqtar i caktuar ka pasur një bindje ose sjellje personale, që nënkupton nëse gjyqtari ka pasur ndonjë paragjykim personal ose ka qenë i anshëm në një çështje të caktuar; dhe sipas një kontrolli objektiv, që do të thotë duke përcaktuar nëse vet tribunali, dhe midis aspekteve të tjerë, nëse përbërja e tij kanë ofruar mjaftueshëm garanci për të përjashtuar çdo dyshim legjitim në lidhje me paanshmërinë e tij (shih Micallef kundër Maltës [DHM], nr. 17056/06, § 93, GJEDNJ 2009).
41. Duke u kthyer në çështjen konkrete, Gjykata vëren se trupat gjykues të Gjykatës së Rrethit, në datën 26 dhjetor 2000 dhe të Gjykatës së Apelit, në datën10 shtator 2001, shqyrtuan çështjen e kërkuesit sipas meritave dhe e shpallën fajtor në mungesë. Më tej,. Gjykata nënvizon se disa anëtarë të këtyre trupave gjykues (Gjyqtarët A.H., V.C. dhe Sh.M.), ishin edhe pjesë e trupit gjykues gjatë procedimeve në Gjykatën e Rrethit, në datën 4 nëntor 2005, edhe gjatë procedimeve në Gjykatën e Apelit, në datën 29 shtator 2006, për shqyrtimin e pretendimit të kërkuesit për rivendosje në afat.
42. Në lidhje me kontrollin subjektiv, Gjykata vëren se kërkuesi nuk debatoi për paanshmërinë personale të Gjyqtarëve A. H., V.C. dhe Sh.M.
43. Në lidhje me kontrollin objektiv, duhet të përcaktohet nëse, pa marrë në konsideratë sjelljen personale të gjyqtarëve, ekzistojnë fakte të konstatuar, të cilët mund të ngrenë dyshime për paanshmërinë e tyre. Gjykata thekson se trupi gjykues i Gjykatës së Rrethit, gjatë procedimeve në datën 29 shtator 2006, nuk e shqyrtoi çështjen bazuar në themelin e dënimit. Gjithashtu, nuk u arrit ndonjë përfundim mbi fajësinë e kërkuesit (shih Fey kundër Austrisë, 24 shkurt 1993, § 34, seritë A nr. 255‑A).
44. Për sa më sipër, duke supozuar se neni 6 përkon me procedurat e rivendosjes në afat, Gjykata nuk gjykon se shqetësimet që mund të ketë pasur kërkuesi për paanshmërinë e trupit gjykues të Gjykatës së Rrethit të datës 4 nëntor 2005 dhe të trupit gjykues të Gjykatës së Apelit më 29 shtator 2006, të jenë të justifikueshme objektivisht. Në këtë mënyrë, rezulton se kjo pjesë e kërkesës është qartazi e pabazuar në fakte dhe duhet të rrëzohet në përputhje me nenin 35 §§ 3 (a) dhe 4 të Konventës.
III. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
45. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj, dhe nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmi
46. Kërkuesi kërkoi 15,000 euro (EUR) për dëmin monetar dhe 50,000 euro për dëmin jomonetar.
47. Qeveria parashtroi se kërkesat e kërkuesit nuk bazoheshin në fakte.
48. Gjykata nuk dallon ndonjë lidhje rastësore midis shkeljes së konstatuar dhe dëmit monetar të pretenduar; për këtë arsye e rrëzon pretendimin.
49. Në lidhje me kërkesat për dëm jomonetar, Gjykata thekson konstatimet e saj në vendimin Shkalla (cituar më sipër, §§ 77–79), dhe Izet Haxhia (cituar më sipër, § 70) se në rastin kur një kërkues është dënuar për shkelje të të drejtave të tij ose të saj sipas garancive të nenit 6 të Konventës, forma më e përshtatshme e korrigjimit do të ishte garantimi që kërkuesi të vendoset sa më shumë të jetë e mundur në pozitën në të cilën do të kishte qenë, në rast se do të zbatohej ky parashikim. Në parim, forma më e përshtatshme e korrigjimit do të ishte një gjykim i ri ose rifillim i procedimeve në rast se kjo do të kërkohej. Për këtë arsye, Gjykata arrin në përfundimin se konstatimi i një shkelje në vetvete përbën mjaftueshëm kompensim të drejtë për dëmin jomonetar të vuajtur nga kërkuesi.
B. Kostot dhe shpenzimet
50. Kërkuesi kërkoi edhe 20,000 euro për kostot dhe shpenzimet e bëra. Ai nuk paraqiti dokumente mbështetëse.
51. Qeveria i rrëzoi pretendimet e kërkuesit.
52. Sipas Rregullit 60 të Rregullave të Gjykatës, një kërkuesi i jepet e drejta për rimbursim të kostove dhe të shpenzimeve vetëm për aq kohë sa provohet se ato janë bërë faktikisht dhe duheshin bërë domosdoshmërisht, dhe sipas kuantit janë të arsyeshme (shih Gjyli kundër Shqipërisë, nr. 32907/07, § 72, 29 shtator 2009). Në mungesë të dokumenteve mbështetëse të paraqitura nga kërkuesi, Gjykata e rrëzon kërkesën për kostot dhe shpenzimet.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, NË MËNYRË UNANIME,
1. E deklaron ankesën në lidhje me padrejtësinë në procedimet e zhvilluara në mungesë të pranueshme dhe pjesën tjetër të kërkesës të papranueshme;
2. Gjykon se është shkelur neni 6 § 1 i Konventës;
3. Gjykon se konstatimi i shkeljes përbën në vetvete kompensim të drejtë për dëmin jomonetar të vuajtur nga kërkuesi;
4. Pushon pretendimin e kërkuesit për kompensim të drejtë.
Hartuar në anglisht dhe njoftuar me shkrim, në datën 22 maj 2018, mbështetur në Rregullin 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullave të Gjykatës.
Stanley Naismith
Kryesekretar
Robert Spano
Kryetar
Full & Egal Universal Law Academy