© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
Shënim informativ rreth jurisprudencës së Gjykatës Nr. 155
Gusht-Shtator 2012
Nada k. Zvicrës [DhM] - 10593/08
Vendim 12.9.2012 [DhM]
Neni 8
Neni 8-1
Respektimi i jetës familjare
Respektimi i jetës private
Ndalim ndaj paditësit për të kaluar transit nëpër një vend përreth një enklave, në bazë të një urdhërese të brendshme që ka vënë në zbatim disa rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së: shkelje
Neni 1
Juridiksioni i shteteve
Juridiksion ndaj një personi që banon në një enklavë, i cili praktikisht nuk ka mundur të udhëtojë për arsye të vënies në jetë nga shteti i paditur të një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së
Neni 5
Neni 5-1
Heqje lirie
Ndalim ndaj paditësit për të kaluar transit nëpër një vend përreth një enklave: e papranueshme
Faktet – Urdhëresa federale zvicerane për talibanët, e miratuar në zbatim të disa rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kishte si pasojë që e pengonte paditësin, një shtetas egjiptian, për të hyrë në Zvicër ose për të kaluar transit përmes këtij vendi, meqenëse emri i tij ishte futur në listën e Komitetit të Sanksioneve të OKB-së të vendosur në aneks të rezolutave të Këshillit të Sigurimit (“lista”), ku ishin regjistruar personat e dyshuar për ortakëri me talibanët ose me Al-Kaidën. Mirëpo paditësi ishte me vendbanim në Kampione d’Italia, një enklavë italiane prej rreth 1,6 km2, e rrethuar nga kantoni zviceran i Tiçinos dhe e ndarë nga territori italian prej një liqeni. Ai pretendonte se ky ndalim e pengonte atë, nga njëra anë, të largohej nga enklava e pra të takohej me miqtë e me familjen e tij dhe, nga ana tjetër, të merrte trajtimet e përshtatshme mjekësore për problemet e tij shëndetësore. Ai ankohej gjithashtu për pamundësinë në të cilën ndodhej për të fituar heqjen e emrit të tij nga lista e vendosur në aneks të Urdhëresës federale, megjithëse hetuesit zviceranë kishin dalë në përfundimin se akuzat e drejtuara kundër tij ishin të pabazuara.
Ligji
a) Prapësime paraprake – Qeveria zvicerane nxirrte si argument se kërkesëpadia ishte e papranueshme për arsye, së pari, të një papajtueshmërie ratione personae dhe ratione materiae me dispozitat e Konventës, së dyti, të një mungese të cilësisë si viktimë të paditësit dhe, së treti, të një mosshterimi të mjeteve të brendshme ligjore. Gjykata e bashkon me themelin shqyrtimin e pajtueshmërisë ratione materiae të kërkesëpadisë. Për prapësimet e tjera, ajo del në përfundimet e mëposhtme.
i) Rreth pajtueshmërisë ratione personae: Gjykata nuk pajtohet dot me argumentin se masat e marra nga shtetet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të vënë në zbatim rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit ngarkojnë me përgjegjësi Organizatën dhe jo shtetet. Në çështjen në fjalë, në ndryshim me situatën e çështjes Behrami e Behrami k. Francës,* ku veprimet dhe mosveprimet objekt konflikti ngarkonin me përgjegjësi organe të Kombeve të Bashkuara, rezolutat përkatëse duhej të zbatoheshin në nivel kombëtar nga shtetet duke vepruar në vetë emrin e tyre. Kështu, masat e diktuara nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit janë zbatuar në Zvicër përmes një urdhërese të Këshillit Federal dhe kanë qenë autoritetet kombëtare ato që i kanë rrëzuar kërkesat e paraqitura nga paditësi me qëllim që të fitonte një përjashtim nga ndalimi për të hyrë në territorin zviceran. Veprimet e mosveprimet në fjalë duhet t’i vihen pra në ngarkim Zvicrës dhe janë me natyrë të tillë që e ngarkojnë atë me përgjegjësi.
Përfundimi: prapësim paraprak i hedhur poshtë (njëzëri).
ii) Rreth cilësisë si viktimë: Heqja e sanksioneve, më shumë se gjashtë vjet pas vënies së tyre, nuk mund të konsiderohet si një njohje nga ana e Qeverisë e një shkeljeje të Konventës dhe ajo nuk është pasuar nga asnjë dëmshpërblim në kuptimin e jurisprudencës së Gjykatës. Prandaj, paditësi mund të vazhdojë ende ta quajë veten se është viktimë e shkeljeve të pretenduara.
Përfundimi: prapësim paraprak i hedhur poshtë (njëzëri).
iii) Rreth shterimit të mjeteve të brendshme ligjore: Gjykata vëren se paditësi nuk i ka kundërshtuar mospranimet për t’i dhënë të drejtë kërkesave të tij për përjashtim nga zbatimi i regjimit të sanksioneve dhe se, në dy raste, atij i janë dhënë përjashtime të cilat ai nuk i ka shfrytëzuar. Megjithatë, edhe sikur të hamendësohet që këto përjashtime t’i kenë zbutur disa efekte të regjimit duke i mundësuar të interesuarit që të largohej përkohësisht nga enklava për disa arsye, Gjykata është e mendimit se kjo pikë përfshihet në një kontekst më të gjerë, i cili ka si zanafillë regjistrimin e emrit të paditësit nga ana e autoriteteve zvicerane në listën aneksuar Urdhëresës për talibanët, e cila përsëriste listën e OKB-së. Duke shënuar se Z. Nada u ka paraqitur autoriteteve kombëtare, pa sukses, disa kërkesa për të fituar heqjen e emrit të tij nga lista, dhe se Gjykata Federale e ka rrëzuar rekursin e tij pa i shqyrtuar në themel ankesat e bëra duke iu referuar Konventës, ajo del në përfundimin se ai i ka shteruar mjetet e brendshme ligjore kundër regjimit të sanksioneve të marrë në tërësi për sa u përket ankimeve të bëra në bazë të neneve 5 dhe 8 të Konventës. Ajo e bashkon me themelin kërkesën për prapësim të bërë nga Qeveria për mosshterim të mjeteve të brendshme ligjore për sa i përket ankimit të mbështetur në nenin 13.
Përfundimi: prapësim paraprak i hedhur poshtë (njëzëri).
b) Rreth themelit – Neni 8: Masat objekt konflikti e kanë shtrënguar paditësin të qëndronte brenda një perimetri të ngushtë për të paktën gjashtë vjet dhe e kanë penguar atë të këshillohej me mjekët e tij në Itali e në Zvicër dhe të takohej me miqtë e me familjen e tij, ose të paktën ia kanë bërë më të vështira këto veprimtari. I interesuari ka pësuar pra një cenim të së drejtës së tij për respektimin e jetës së vet private dhe të jetës së vet familjare. Masat kishin një bazë të mjaftueshme ligjore dhe ndiqnin objektiva të drejtë për të parandaluar kryerjen e veprave penale dhe për të dhënë ndihmesë në ruajtjen e sigurimit kombëtar e të sigurisë publike.
Gjykata shqyrton pastaj pikën nëse ishte e përligjur ndërhyrja objekt konflikti. Ajo rikujton se, në bazë të nenit 1 të Konventës, shtetet palë janë përgjegjëse për të gjitha veprimet e mosveprimet e organeve të tyre, ngado që të rrjedhin ato, qoftë nga e drejta e brendshme, qoftë nga respektimi i detyrimeve të tyre juridike ndërkombëtare. Për sa i përket marrëdhënies ndërmjet Konventës dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit, ajo vëren që në çështjen Al-Jedda k. Mbretërisë së Bashkuar** ajo ka thënë se duhet të prezumohet se Këshilli i Sigurimit nuk ka për qëllim që t’u diktojë shteteve anëtare të OKB-së detyrime të cilat do të binin ndesh me parimet themelore të të drejtave të njeriut dhe se ai do të përdorte një gjuhë të qartë e të shkoqur nëse kërkonte prapëseprapë që shtetet të merrnin masa të veçanta të cilat do të hynin në konflikt me detyrimet që u dikton atyre legjislacioni ndërkombëtar i të drejtave të njeriut. Por, në rastin e çështjes në fjalë, ky prezumim është hedhur poshtë, sepse Rezoluta 1390 (2002) u dikton shprehimisht shteteve që t’ua ndalojnë personave të regjistruar në listë që të hyjnë në territorin e tyre apo të kalojnë transit nëpër të.
Megjithatë, Karta e Kombeve të Bashkuara nuk u dikton shteteve ndonjë model të veçantë për zbatimin e rezolutave të miratuara nga Këshilli i Sigurimit sipas Kreut VII, por u lë atyre liri zgjedhjeje midis modeleve të ndryshme të mundshme për zhvendosje të këtyre rezolutave në rendin e tyre të brendshëm juridik. Zvicra e kishte pra njëfarë hapësire të ngushtë por reale për manovrim në vënien në jetë të rezolutave detyruese në fjalë lidhur me këtë çështje. Duke shqyrtuar atëherë pikën nëse masat e marra nga autoritetet zvicerane ishin të përpjesëtuara në dritën e kësaj hapësire për manovrim, Gjykata e gjykon si befasues faktin që këto të fundit e kanë njoftuar me sa duket Komitetin e Sanksioneve vetëm në shtator 2009 për përfundimet ku kishte dalë Prokuroria në maj 2005, sipas të cilave akuzat e drejtuara kundër paditësit ishin qartazi të pabazuara: një njoftim më i shpejtë i përfundimeve të autoriteteve hetimore do të kishte mundësuar me gjasa që të përfitohej më herët heqja e emrit të paditësit nga lista e OKB-së. Për sa u përket përmasave të ndalimit, Gjykata vëren se paditësi pengohej jo vetëm që të hynte në Zvicër, por edhe që të largohej nga Kampione d’Italia, meqenëse qyteti ishte një enklavë, e kjo edhe për të shkuar në një pjesë tjetër të Italisë, një vend shtetësinë e të cilit ai e kishte. Kjo çështje përmban gjithashtu edhe një aspekt mjekësor i cili nuk duhet të nënvlerësohet: paditësit, i cili ka lindur më 1931, i janë rrëzuar disa herë kërkesat për përjashtim të cilat i kishte paraqitur me qëllim që të mund të shkonte në takime gjyqësore ose mjekësore, ndërkohë që ai vuante nga probleme shëndetësore. Gjithashtu, autoritetet zvicerane nuk i kanë propozuar atij ndihmë në mënyrë që, duke pasur parasysh situatën e tij të veçantë, ai të mundte të kërkonte një përjashtim të përgjithshëm nga ndalimi. Është e vërtetë që Zvicra nuk ishte në zanafillë të regjistrimit të emrit të tij në listë dhe që, duke mos qenë shteti i tij i kombësisë ose i vendbanimit, ajo nuk ishte kompetente për t’ia kërkuar heqjen e emrit të tij Komitetit të Sanksioneve, por megjithatë nuk duket që ajo të jetë orvatur për ta nxitur Italinë që ta ndërmerrte këtë përçapje apo që t’i ketë ofruar atij ndihmën e saj për këtë qëllim. Gjykata çmon pra se autoritetet zvicerane nuk i kanë marrë parasysh në mënyrë të mjaftueshme realitetet e kësaj çështjeje, sidomos vendndodhjen e pashoqe gjeografike të paditësit dhe kohëzgjatjen e konsiderueshme të atyre masave. Duke gjykuar se Qeveria nuk bëhet dot bindëse duke u mjaftuar për t’u mbrojtur me përmendjen e natyrës detyruese të rezolutave të Këshillit të Sigurimit, por se ajo do të ishte dashur që ta bindte atë se i kishte marrë – ose ishte përpjekur t’i merrte – të gjitha masat e mundshme për t’ia përshtatur regjimin e sanksioneve situatës së veçantë të paditësit, ajo del në përfundimin se në çështjen në fjalë nuk është me vend që të përcaktohet hierarkia ndërmjet detyrimeve që rrjedhin nga Konventa, në njërën anë, dhe nga Karta e Kombeve të Bashkuara, në anën tjetër: Qeveria zvicerane nuk e ka vërtetuar që autoritetet kombëtare të jenë përpjekur, brenda mundësive, për t’i harmonizuar disa detyrime që ato i çmonin si divergjente. Kërkesa për prapësim paraprak që ajo ka parashtruar për papajtueshmëri ratione materiae me dispozitat e Konventës hidhet pra poshtë. Duke pasur parasysh të gjitha rrethanat, Gjykata thotë se kufizimet që i janë diktuar lirisë së qarkullimit të paditësit për një kohëzgjatje të konsiderueshme nuk kanë respektuar një baraspeshë të drejtë midis të drejtës së të interesuarit për respektimin e jetës së tij private dhe familjare dhe qëllimeve të drejta të ndjekura.
Përfundimi: shkelje (njëzëri).
Neni 13: Gjykata vëren se paditësi ka mundur t’u drejtohet juridiksioneve të brendshme me qëllim që të fitonte heqjen e emrit të tij nga lista aneksuar Urdhëresës për talibanët dhe se ai do të kishte mundur kështu të fitonte zgjidhjen e ankesave të tij të bëra sipas Konventës. Megjithatë, autoritetet nuk i kanë shqyrtuar ankesat e tij për sa i përket themelit. Në veçanti, Gjykata Federale ka çmuar se ajo vërtet që mund ta verifikonte nëse Zvicra ishte e detyruar nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit, por jo që t’i hiqte vetë, për mosrespektim të të drejtave të njeriut, sanksionet e diktuara ndaj paditësit. Për më tepër, ajo e ka pranuar madje shprehimisht se procedura për t’u kërkuar heqje nga lista Kombeve të Bashkuara nuk mund të konsiderohej si një zgjidhje efektive në kuptimin e nenit 13 të Konventës.
Përfundimi: shkelje (njëzëri).
Neni 5 § 1: Ndonëse kufizimet që i janë bërë lirisë së qarkullimit të paditësit kanë zgjatur për një kohë të konsiderueshme, zona ku ai nuk mund të depërtonte ishte territori i një vendi të tretë, i cili, sipas së drejtës ndërkombëtare, e kishte të drejtën për të mos e pranuar hyrjen e një të huaji. Këto kufizime nuk e kanë penguar të interesuarin që të jetonte e të qarkullonte lirisht në territorin ku ai kishte vendbanimin e tij të përhershëm. Kështu që ai, për të folur drejt, nuk ka qenë objekt as i ndonjë burgimi, as i ndonjë arresti të vërtetë shtëpiak, sado që i duhej të qëndronte brenda një hapësire të ngushtë. Së fundi, regjimi i sanksioneve i lejonte atij që të kërkonte përjashtime nga ndalimi për hyrje a për kalim transit dhe përjashtime të tilla atij i janë dhënë dy herë, por ai nuk i ka përdorur ato. Prandaj, Gjykata del në përfundimin se atij nuk i është “hequr liria e tij” në kuptimin e nenit 5 § 1.
Përfundimi: e papranueshme (haptazi e pabazuar).
Neni 41: asnjë kërkesë e formuluar për dëm.
* Behrami e Behrami k. Francës dhe Saramati k. Francës, Gjermanisë e Norvegjisë (vend. pran.) [DhM], nr. 71412/01 e nr. 78166/01, 2 maj 2007, Shënim informativ nr. 97.
** Al Jedda k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 27021/08, 7 korrik 2011, Shënim informativ nr. 143.
© Këshilli i Evropës /Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut
E hartuar nga sekretaria, kjo përmbledhje nuk e kushtëzon Gjykatën.
Klikoni këtu për të hyrë te Shënimet informative rreth jurisprudencës
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy