© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
ISH-SEKSIONI I TRETË
ÇËSHTJA E NATSVLISHVILI DHE TOGONIDZE kundër GJEORGJISË
(Kërkesa nr. 9043/05)
VENDIM
[Pjesë të shkëputura]
STRASBURG
29 prill 2014
Ky vendim do të marrë formë të prerë në rrethanat e përcaktuara nga neni 44 § 2 i Konventës. Ai mund t’i nënshtrohet rishikimit redaktues.
Në çështjen e Natsvlishvili dhe Togonidze kundër Gjeorgjisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Ish-Seksioni i Tretë), në Dhomën e përbërë nga:
Josep Casadevall, Kryetar,
Alvina Gyulumyan,
Corneliu Bîrsan,
Ján Šikuta,
Nona Tsotsoria,
Kristina Pardalos,
Johannes Silvis, gjyqtarë,
dhe Santiago Quesada, Kancelar i Seksionit,
Pas konsultimeve me dyer të mbyllura më 15 tetor 2013 dhe 3 prill 2014,
Shpall vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në datën e fundit të përmendur:
PROCEDURA
1. Çështja zuri fill me anë të një kërkese (nr. 9043/05) kundër Gjeorgjisë të depozituar në Gjykatë në pajtim me nenin 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (prej këtu “Konventa”) nga dy shtetas gjeorgjianë, A. Amiran Natsvlishvili (“kërkuesi i parë”) dhe Znj. Rusudan Togonidze (“kërkuesja e dytë”), më 9 mars 2005.
2. Kërkuesit, të cilëve iu dha ndihmë ligjore për qëllime të një seance verbale në lidhje me themelet (shih paragrafët 5 dhe 6 poshtë), u përfaqësuan nga Znj. M. Gioshvili, Znj. E. Fileeva dhe Z. K. Koroteev, avokatë që veprojnë në Gjeorgji dhe në Federatën Ruse. Qeveria e Gjeorgjisë (“Qeveria”) u përfaqësua nga Agjentët e saj, Z. M. Kekenadze, Z. D. Tomadze dhe Z. L. Meskhoradze, nga Ministria e Drejtësisë.
3. Kërkuesi i parë pretendoi, në mënyrë të veçantë, që procesi i marrëveshjes për deklarim të fajësisë, ashtu siç parashikohej nga e drejta vendase në kohën materiale dhe siç u zbatua në rastin e tij, kishte qenë abuzim i procesit dhe kishte qenë i padrejtë, në shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës dhe nenit 2 të Protokollit Nr. 7 të Konventës. Më tej ai pretendoi që publiciteti i arrestimit të tij kishte shkelur të drejtën e tij për t’u supozuar i pafajshëm sipas nenit 6 § 2 të Konventës. Përveç kësaj, të dy kërkuesit pretenduan që Shteti i kishte penguar ata në ushtrimin e të drejtës së tyre për kërkesë individuale, në kundërshtim me nenin 34 të Konventës, dhe që dënimet financiare të caktuara ndaj tyre si pjesë e procesit të marrëveshjes për deklarim të fajësisë kishin shkelur të drejtat e tyre pronësore sipas nenit 1 të Protokollit Nr. 1.
4. Kërkuesit dhe Qeveria paraqitën vërejtjet e tyre me shkrim në lidhje me pranueshmërinë dhe themelet e kërkesës.
5. Me një vendim të formës së prerë të 25 qershorit 2013, Gjykata e deklaroi kërkesën të pjesërisht pranueshme (neni 29 § 1 in fine i Konventës). Për sa i përket procedurës së mëtejshme, Gjykata vendosi të merrte parashtrimet verbale të palëve në lidhje me themelet (neni 9 § 3 i Rregullores).
6. Seanca në lidhje me themelet u zhvillua në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut, Strasburg, më 15 tetor 2013 (neni 59 § 3).
Para Gjykatës dolën:
(a) për Qeverinë
Z.G.Lortkipanidze dhe Z. A. Baramidze, Zv/Ministra të Drejtësisë,
Z.L. Meskhoradze, Agjent,
Znj. Sh. Mezurnishvili dhe Znj. N. Mezvrishvili, Këshilltarë,
(b) për kërkuesit
Znj.M.Gioshvili,
Znj. E. Fileeva,
Z.K. Koroteev, Avokatë.
Gjykata dëgjoi deklarata nga Z. Meskhoradze, Znj. Gioshvili, Znj. Fileeva dhe Z. Koroteev.
7. Më 1 shkurt 2014 Gjykata ndryshoi përbërjen e Seksioneve të saj por kërkesa në fjalë u mbajt nga Ish-Seksioni i Tretë.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
8. Kërkuesi i parë dhe kërkuesja e dytë kanë lindur në vitin 1950 dhe në vitin 1953 dhe momentalisht jetojnë në Moskë, Federata e Rusisë, dhe në Kutaisi, Gjeorgji, respektivisht. Ata janë burrë e grua.
A. Sfondi
9. Kërkuesi i parë ka qenë zëvendëskryetar bashkie në Kutaisi, qyteti i dytë më i madh në Gjeorgji, nga viti 1993 deri në vitin 1995 dhe drejtor menaxhues i kompanisë që administronte Fabrikën e Automobilëve Kutaisi (“fabrika”), një prej kompanive më të rëndësishme publike në vend, nga viti 1995 deri në vitin 2000. Më 29 dhjetor 2000 ai u emërua kryetar i komisionit mbikëqyrës të fabrikës në mbledhjen e përgjithshme të aksionarëve.
10. Kërkuesja e dytë ka qenë aksionarja kryesore në fabrikë pas Shtetit (78.61% të aksioneve), me 12.95% të aksioneve pas blerjeve të bëra në vitet 1998 dhe 2000. Kërkuesja e dytë mbante 2.6% të aksioneve, të blera në vitin 2002, kështu që çifti së bashku kishin në pronësi gjithsej 15.55% të aksioneve.
11. Kërkuesi i parë u rrëmbye në dhjetor 2002. Pasi ishte keqtrajtuar rëndë nga rrëmbyesit e tij, ai u lirua në këmbim të një shume të madhe që u pagua nga familja e tij.
B. Procedurat penale kundër kërkuesit të parë
12. Më 12 mars 2004 kërkuesi i parë u akuzua që kishte zvogëluar në mënyrë të paligjshme kapitalin e përbashkët të fabrikës, për çka ai mbante përgjegjësi së pari si drejtor menaxhues dhe së dyti si kryetar i komisionit mbikëqyrës. Ai u akuzua për bërjen e shitjeve fiktive, transfertave dhe uljes së vlerave, dhe për shpenzimin e të ardhurave pa përfillur interesat e kompanisë (neni 182 i Kodit Penal – “abuzimi i autoritetit përmes keqpërdorimit dhe përvetësimit të pasurisë së të tjerëve”).
13. Më 15 mars 2004 policia dhe prokurori i Kutaisit shkuan në vendin e punës së kërkuesit të parë për ta arrestuar. ...
15. Më 16 mars 2004 kërkuesi i parë mori një avokat për të mbrojtur interesat e tij.
16. Kur u mor në pyetje për herë të parë në cilësinë e të dyshuarit më 17 mars 2004, kërkuesi i parë, me ndihmën e avokatit të tij, pohoi pafajësinë e tij dhe ushtroi të drejtën e tij për të qëndruar në heshtje.
17. Në të njëjtën ditë, 17 mars 2004, autoritetet prokuroriale drejtuan një ankesë para Gjykatës së Qytetit të Kutaisit për paraburgimin e kërkuesit të parë në pritje të gjyqit. Prokuroria u shpreh se kërkuesi i parë, i cili akuzohej për një krim të natyrës serioze, mund të përpiqej t’i shmangej drejtësisë, të pengonte zbulimin e të vërtetës dhe të vijonte aktivitetet e tij kriminale. Kur vendosi në lidhje me këtë kërkesë në një datë të pasaktësuar, Gjykata e Qytetit vendosi paraburgimin e kërkuesit për tre muaj. Duke zbatuar nenin 243 të Kodit të Procedurës Penale (“KPP”), kërkuesi i parë e kontestoi atë vendim pranë Gjykatës Rajonale të Kutaisit, e cila e rrëzoi apelin e tij në një datë të pasaktësuar.
18. Më 15 mars 2004 kërkuesi i parë i dërgoi një letër autoritetit të prokurorisë, ku thuhej si vijon: “Meqenëse nuk jam indiferent ndaj të ardhmes së fabrikës së automobilëve dhe konsideroj që është e mundur të zgjidhen problemet [që jam duke pasur] me Shtetin, unë shpreh gatishmërinë time për të hequr dorë nga aksionet në fabrikë të cilat na përkasin mua dhe bashkëshortes sime dhe për t’ia lënë ato Shtetit.”
19. Më 14 qershor 2004 paraburgimi i kërkuesit të parë në pritje të gjyqit u vazhdua nga Gjykata Rajonale e Kutaisit deri më 15 korrik 2004, dhe në korrik 2004 ai vazhdua deri më 15 shtator 2004.
20. Gjatë katër muajve të parë në paraburgim kërkuesi i parë u mbajt në të njëjtën qeli me personin e akuzuar për rrëmbimin e tij në vitin 2002 (shih paragrafin 11 lart) dhe me një person tjetër që ishte duke vuajtur dënimin për vrasje. Pasi Zyra e Mbrojtësit Publik u ankua për këtë fakt me arsyetimin se kjo vinte në rrezik mirëqenien fizike dhe psikologjike të kërkuesit, autoritetet e burgut e transferuan kërkuesin në një qeli tjetër.
21. Më 1 gusht 2004 kërkuesi i parë dhe avokati i tij u lejuan të kishin qasje në materialet e lëndës së çështjes penale. Më 6 gusht 2004 kërkuesi i parë caktoi një avokat të dytë për të mbrojtur interesat e tij në procedurë.
22. Më 6 shtator 2004 hetimet përfunduan, dhe ndaj kërkuesit të parë u ngrit akuza për veprat e lartpërmendura. Pasi u njoh, me ndihmën e dy avokatëve të tij, me përmbajtjen e lëndës në tërësi, ai sërish pohoi pafajësinë e tij por konfirmoi qëllimin e tij që të bashkëpunonte me hetimet.
23. Në të njëjtën ditë, 6 shtator 2004, të dy kërkuesit i transferuan Shtetit aksionet e tyre falas, që përfaqësonin gjithsej 15.55% të kapitalit të përbashkët të fabrikës.
24. Sipas një deklarate me shkrim në shkresat e lëndës nga Zoti G.T.-ia, punëtor në fabrikë, më 6 shtator 2004 ai dhe nëntë punonjës të tjerë të fabrikës ia transferuan aksionet e tyre Shtetit ex gratia, me kërkesë të autoritetit prokurorial, në lidhje me procedurat penale kundër kërkuesit të parë dhe në këmbim të lirimit të këtij të fundit nga paraburgimi. Dosja e lëndës përmban një kopje të marrëveshjeve përkatëse ex gratia që datojnë 6 shtator 2004.
25. Dosja gjithashtu përmban një deklaratë dëshmie nga Znj. M.I.-dze, kunata e kërkueses së dytë, që prokurori publik kishte kërkuar po ashtu që familja e kërkuesit të parë të paguante 50.000 larisa gjeorgjiane (GEL) (rreth 21.000 euro (EUR)) në Fondin për Zhvillimin e Organeve Shtetërore që siguronin Mbrojtjen e Ligjit (“Fondi i Zhvillimit”) me qëllim që të përmbyllej një “marrëveshje procedurale” që e lironte kërkuesin e parë nga paraburgimi. Kështu, prokurori publik u kishte dhënë atyre dokumentet e nevojshme për transferimin, duke shtuar që emri i kërkuesit të parë nuk duhet të paraqitej si personi që kishte paguar paratë. Prokurori publik nguli këmbë që paratë të mos i paguheshin Fondit të Zhvillimit drejtpërdrejt nga kërkuesi. Kështu, Znj. M.I.-dze pranoi ta paguante shumën e kërkuar në emër të saj.
26. Siç konfirmohet nga fatura përkatëse e transfertës bankare, ajo pagesë u bë më 8 shtator 2004, ku emri i Znj. M.I.-dze shihet në dokument si burimi i transfertës.
27. Të nesërmen, më 9 shtator 2004, kërkuesi i parë bëri një deklaratë me shkrim para prokurorit publik, ku i kërkonte atij të organizonte një “marrëveshje procedurale” (prej këtu “marrëveshja për deklarim të fajësisë”), procedurë e cila kishte hyrë në sistemin gjyqësor të Gjeorgjisë në shkurt 2004. Kërkuesi saktësoi që, ndërkohë që e konsideronte veten të pafajshëm, ai ishte i gatshëm të bënte marrëveshje në lidhje me dënimin dhe të kompensonte dëmin shkaktuar Shtetit; ai deklaroi se do t’i paguante 35.000 GEL (14.700 EUR) buxhetit të Shtetit në lidhje me këtë. Ai shtoi që e kuptonte plotësisht përmbajtjen e marrëveshjes.
28. Në të njëjtën ditë prokurori publik i Kutaisit ofroi dhe kërkuesi i parë pranoi një marrëveshje për deklarimin e fajësisë në lidhje me dënimin (neni 679 § 2 i KPP). Procesverbali me shkrim i marrëveshjes për deklarim të fajësisë përmendte që, ndërkohë që kërkuesi refuzonte t’i pranonte akuzat, ai kishte “bashkëpunuar në mënyrë aktive me hetimet duke kompensuar vullnetarisht dëmin prej 4.201,663 GEL (afro 1.765,000 EUR) të shkaktuar nga aktiviteti i tij penal duke ia kthyer 22.5% të aksioneve në fabrikë Shtetit”. Më tej prokurori shënoi që, pavarësisht nga fakti që kërkuesi akuzohej për një vepër posaçërisht të rëndë që parashikonte dënim me burgim prej gjashtë deri në dymbëdhjetë vjet, ishte sidoqoftë e mundur, duke pasur parasysh kompensimin e plotë të dëmit dhe interesin e përdorimit efikas të burimeve shtetërore, që t’i ofrohej një marrëveshje për deklarim të fajësisë. Në mënyrë të veçantë, prokurori premtoi që ai do t’i kërkonte trupit gjykues që ta dënonte kërkuesin pa shqyrtuar themelet e çështjes, duke kërkuar një dënim të reduktuar në formën e një gjobe prej 35.000 GEL (14.700 EUR). Kërkuesit iu shpjegua që marrëveshja e propozuar për deklarimin e fajësisë nuk do ta përjashtonte atë nga përgjegjësia civile. Kërkuesi deklaroi që e kuptonte plotësisht përmbajtjen e marrëveshjes dhe që ishte i gatshëm ta pranonte atë dhe që vendimi i tij nuk ishte si pasojë e detyrimit, presionit apo ndonjë lloj premtimi të paduhur. Procesverbali i marrëveshjes u nënshkrua siç duhej nga prokurori si dhe nga kërkuesi dhe dy avokatët e tij.
29. Në të njëjtën ditë, 9 shtator 2004, prokurori publik depozitoi një kërkesë pranë Gjykatës së Qytetit të Kutaisit, ku kërkohej miratimi i marrëveshjes së lartpërmendur pa shqyrtimin e themeleve të çështjes, gjetja e kërkuesit fajtor për akuzat e ngritura kundër tij dhe reduktimi i dënimit të parashikuar për veprat duke e gjobitur kërkuesin me 35.000 GEL (14.700 EUR). Në kërkesën e prokurorit përmendej që ajo shoqërohej nga procesverbali me shkrim i marrëveshjes dhe dymbëdhjetë vëllimet e materialeve të dosjes së lëndës penale.
30. Në të njëjtën ditë, 9 shtator 2004, Znj. M.I.-dze aktivizoi një transfertë bankare ku Shtetit i paguhej gjoba prej 35.000 GEL (14.700 EUR) sipas marrëveshjes së lartpërmendur mes kërkuesit të parë dhe prokurorit publik.
31. Në një seancë dëgjimore verbale më 10 shtator 2004, Gjykata e Qytetit të Kutaisit, me një trup gjykues të përbërë nga një gjyqtar, shqyrtoi kërkesën e prokurorit të datës 9 shtator 2004. Siç shihet nga procesverbali i seancës, gjyqtari i shpjegoi kërkuesit të parë, i cili u asistua nga një prej dy avokatëve që kishin bashkëfirmosur marrëveshjen për deklarim të fajësisë (shih paragrafin 27 lart), të drejtat e tij sipas nenit 679-3 të Kodit të Procedurës Penale. Në përgjigje, kërkuesi pranoi që ai ishte në dijeni të të drejtave të tij dhe që ai kishte rënë dakord me marrëveshjen me vullnetin e tij, pa iu nënshtruar asnjë lloj presioni të paduhur gjatë negociatave me prokurorin. Kjo u konfirmua gjithashtu edhe nga avokati i tij. Kërkuesi i parë dhe avokati i tij më pas i kërkuan gjyqtarit që ta miratonte marrëveshjen, siç ishte kërkuar nga prokurori, duke konfirmuar që ata merrnin përsipër pasojat e saj. Avokati shtoi që ai i kishte ndihmuar negociatat për marrëveshjen mes klientit të tij dhe palës së akuzës, që ishte klienti i tij ai që kishte ngulur këmbë që të arrihej një marrëveshje e tillë, dhe që ai, si avokat, i kishte ofruar kërkuesit gjithë këshillimin e nevojshëm.
32. Duke u mbështetur në provat e dokumentuara dhe dëshmitë e dëshmitarëve të ndryshëm të marra gjatë fazës hetimore, Gjykata e Kutaisit gjeti që akuzat e ngritura kundër kërkuesit të parë ishin të bazuara. Gjykata po ashtu shënoi që, kur u akuzua më 6 shtator 2004 me krime sipas nenit 182 § 2 (a), (b) dhe (c) dhe 3 (b) të Kodit Penal, kërkuesi “nuk u deklarua fajtor dhe ushtroi të drejtën e tij për të qëndruar në heshtje. Megjithatë, duke bashkëpunuar në mënyrë aktive me hetimet, ai kishte paguar në mënyrë vullnetare dëmin prej 4.201,663 GEL (1.765,000 EUR) të shkaktuar nga aktiviteti penal duke ia kthyer Shtetit 22.5% të aksioneve në fabrikë”.
33. Gjykata e Qytetit më tej shënoi që, pas shqyrtimit gjyqësor, ajo arriti në përfundimin që marrëveshja për deklarim të fajësisë ishte arritur në pajtim me ligjin, që kërkuesi i parë e kishte nënshkruar atë në dijeni të plotë të fakteve dhe që ajo nuk ishte rezultat i ndonjë detyrimi, presioni apo ndonjë lloj premtimi që shkonte përtej asaj që lejohej në marrëveshje të tilla. Prandaj, gjykata e sanksionoi marrëveshjen duke e deklaruar kërkuesin e parë fajtor për akuzat e ngritura kundër tij dhe duke e dënuar atë me gjobë 35.000 GEL (14.700 EUR). Më pas kërkuesi i parë u lirua menjëherë nga gjykatorja.
34. Siç u përmend në pjesën operative, vendimi i Gjykatës së Qytetit të Kutaisit i datës 10 shtator 2004 ishte i formës së prerë dhe kundër tij nuk mund të bëhej apel. Megjithatë mund të bëhej një kërkesë për të prishur vendimin dhe për të rihapur çështjen, nëse do të zbuloheshin rrethana të reja të cilat arsyetonin një veprim të tillë.
35. Sipas dosjes së lëndës, pas përfundimit të procedurave penale dhe lirimit të tij nga paraburgimi, kërkuesi i parë u largua nga Gjeorgjia dhe që nga ajo kohë është me banim në Moskë, Rusi.
...
II. E DREJTA PËRKATËSE VENDASE DHE DOKUMENTET NDËRKOMBËTARE
A. Kodi i Procedurës Penale (KPP)
49. Në dispozitat përkatëse në lidhje me “marrëveshjet procedurale” (“საპროცესო შეთანხმება” në gjeorgjisht, saprotseso shetankhmeba), ose marrëveshjet për deklarim të fajësisë, të futura në KPP më 13 shkurt 2004 dhe të ndryshuara për herë të parë më 24 qershor 2004 e rrjedhimisht të zbatueshme në kohën materiale, thuhej si vijon:
Neni 15
“Një marrëveshje procedurale mund të arrihet në përputhje me parimet e pavarësisë së gjyqësorit. Marrëveshja procedurale i kontribuon një sistemi më të shpejtë dhe më efikas të drejtësisë.”
Neni 679-1
“1. Gjykata mund të marrë një vendim mbi bazën e një marrëveshjeje procedurale pa shqyrtuar themelet e çështjes para saj. Marrëveshja procedurale bazohet mbi një marrëveshje lidhur me përgjegjësinë e të akuzuarit ose dënimin. Është e drejtë e posaçme e palës së akuzës që të propozojë marrëveshje procedurale.
2. Kur arrihet një marrëveshje në lidhje me dënimin, i akuzuari nuk deklarohet fajtor por arrin një marrëveshje me prokurorin lidhur me dënimin ose mungesën e dënimit dhe/ose bie dakord që të bashkëpunojë me hetimet.
3. Kur arrihet një marrëveshje në lidhje me përgjegjësinë, i akuzuari deklarohet fajtor dhe/ose bashkëpunon me hetimet.
4. Marrëveshja procedurale arrihet me pëlqimin e prokurorit i cili është epror në aspektin e hierarkisë.
5. Mbi bazën e marrëveshjes procedurale, prokurori mund të kërkojë reduktimin e dënimit për të pandehurin, ose mund të vendosë të lehtësojë disa nga akuzat e ngritura kundër tij ose t’i heqë fare disa prej tyre me kusht që i akuzuari të deklarohet fajtor për të gjitha pikat e akuzës.
6. Para se të vendoset reduktimi i një dënimi ose lehtësimi i akuzave, prokurori duhet të marrë në konsideratë (a) shkallën e dënimit me të cilin përballet i akuzuari, si dhe seriozitetin e paligjshmërisë së veprimeve dhe fajin e të akuzuarit; (b) përdorimin e burimeve të Shtetit në një mënyrë që favorizon më së shumti interesin e përgjithshëm. ...
7. Marrëveshja procedurale nuk arrihet pa përfshirjen e një avokati mbrojtës dhe pa pëlqimin paraprak të të akuzuarit për sa i përket përmbajtjes së marrëveshjes.
8. Marrëveshja procedurale quhet nul dhe e pavlefshme nëse më pas del që informacionet dhe provat e paraqitura nga i akuzuari për hetime ... nuk janë të besueshme dhe nuk i kontribuojnë mundësisë reale për identifikimin e përgjegjësve. Vendimi për nulifikimin e një marrëveshjeje procedurale merret nga gjykata.
9. Në raste të veçanta, kur bashkëpunimi i të akuzuarit në hetime shpie në zbulimin e një krimi posaçërisht të rëndë ose aktiviteti penal të një zyrtari publik, dhe kur i akuzuari ndihmon në mënyrë të drejtpërdrejtë mundësimin e hetimeve, prokurori publik mund t’i kërkojë gjykatës që i akuzuari të lirohet nga përgjegjësia penale. ...
11. Gjatë arritjes së marrëveshjes procedurale prokurori duhet ta informojë të akuzuarin që marrëveshja nuk e çliron atë nga përgjegjësia civile. Në rrethana të veçanta, prokurori publik ose zëvendës prokurori publik mundet që, me një vendim të arsyetuar, ta çlirojë të akuzuarin nga përgjegjësia civile. Në këto rrethana, përgjegjësia do të bjerë mbi Shtetin.”
Neni 679-2 §§ 2, 3 dhe 4
“2. Duhet të konfirmohet, në një deklaratë me shkrim të nënshkruar nga i akuzuari ose përfaqësuesi i tij ligjor dhe avokati i tij, që, duke përfituar nga këshillimi ligjor, i akuzuari ka dhënë pëlqimin e tij të lirë për vendimin gjyqësor pa shqyrtimin e themeleve të çështjes së tij. I akuzuari duhet ta kuptojë tërësisht përmbajtjen e kërkesës që prokurori i dorëzon gjykatës, si dhe pasojat ligjore të vendimit që mund të merret.
3. Pasi i akuzuari dhe prokurori arrijnë marrëveshjen procedurale, prokurori duhet të hartojë një shkresë e cila në të cilën ai të shënojë përmbajtjen e marrëveshjes. Më pas shkresa nënshkruhet nga prokurori, avokati i të akuzuarit dhe i akuzuari.
4. Përmbajtja e shkresës së përmendur në paragrafin 3 të nenit në fjalë është konfidenciale dhe mund të konsultohet vetëm nga palët nënshkruese dhe gjykata.”
Neni 679-3
“1. Marrëveshja procedurale duhet të jetë në formë të shkruar dhe duhet të miratohet nga gjykata në seancë dëgjimore publike, nëse nuk ka arsye bindëse që seanca të mbahet me dyer të mbyllura. Vendimi i gjykatës duhet të pasqyrojë marrëveshjen procedurale. Gjykata duhet të sigurojë që marrëveshja është arritur pa dhunë dhe frikësim dhe pa mashtrim ose premtime të paligjshme. Gjithashtu, gjykata duhet të sigurojë që i akuzuari ka dhënë pëlqimin në mënyrë të lirë dhe ka pasur mundësi të marrë këshillim të kualifikuar ligjor.
2. Para se të miratojë një marrëveshje procedurale, gjykata duhet të sigurojë që:
(a) i akuzuari e kupton plotësisht natyrën e krimit për të cilin akuzohet;
(b) i akuzuari e kupton plotësisht dënimin që mund të jepet për krimin të cilin ai pranon;
(c) i akuzuari është i vetëdijshëm për të gjitha kërkesat ligjore lidhur me deklarimin e fajësisë në kontekstin e një marrëveshjeje procedurale;
(d) i akuzuari e kupton plotësisht që gjykata nuk ka asnjë detyrim për të pranuar një shkresë nga pala e akuzës e cila, duke u bazuar në marrëveshjen procedurale, rekomandon lehtësimin ose heqjen absolute të dënimit;
(e) i akuzuarit e kupton që ai ka të drejtat kushtetuese të mëposhtme:
- të drejtën për të pasur mbrojtje;
- të drejtën për të refuzuar hyrjen në marrëveshje duke deklaruar pranimin e fajit nga ana e tij;
- të drejtën që themelet e çështjes së tij të merren në shqyrtim.
(f) marrëveshja procedurale nuk është rezultat i detyrimit, frikësimit ose një premtimi i cili shkon përtej asaj që lejohet në një marrëveshje të tillë;
(g) i akuzuari nuk i konteston faktet mbi të cilat bazohet marrëveshja që përmban pranimin e fajit nga ana e tij.
3. Gjykata e merr vendimin e saj në përputhje me ligjin dhe nuk ka asnjë detyrim për të sanksionuar marrëveshjen mes të akuzuarit dhe prokurorit.”
Neni 679-4 §§ 1, 3, 4, 5, 6 dhe 7
“1. Në situatat e parashikuara në Kreun e mëparmë, gjykata mund të marrë ose një vendim [për miratimin e marrëveshjes për deklarim të fajësisë] pa shqyrtimin e themeleve ose një vendim për dërgimin e çështjes tek prokurori për ngritjen e aktakuzës.
3. Gjykata duhet të sigurojë, mbi bazën e dosjes së lëndës, që akuzat janë të bazuara, që dënimi i propozuar në shkresë është i drejtë dhe që i akuzuari ka deklaruar fajësinë në mënyrë të lirë.
4. Nëse gjykata është dakord me vlerësimin faktik dhe ligjor të prokurorit për çështjen dhe konsideron që dënimi i rekomanduar është i drejtë, ajo merr vendim brenda një muaji pasi të ketë marrë shkresën përkatëse nga prokurori ... .
5. Nëse gjykata gjen që provat e paraqitura nuk i mbështesin akuzat ose që marrëveshja procedurale është arritur në shkelje të nenit 679-1, ajo e dërgon çështjen tek prokurori për ngritjen e aktakuzës.
6. Nëse gjykata konsideron që dënimi i rekomanduar nga prokurori është tepër i rreptë, ajo ka pushtetin që ta reduktojë atë.
7. I akuzuari ka të drejtë të refuzojë të hyjë në një marrëveshje procedurale e cila bazohet në deklarimin e fajësisë nga ana e tij në çdo fazë të procedurave gjyqësore para se gjykata të marrë vendimin e saj. Për një refuzim të tillë nuk kërkohet pëlqimi i avokatit. Pasi gjykata të marrë vendimin, detyrueshmëria e marrëveshjes procedurale nuk mund të refuzohet më.”
Neni 679-7 §§ 2 dhe 3
“2. Kundër vendimit [të parashikuar nga nenet e mëparme], i cili bëhet i ekzekutueshëm pas shpalljes, nuk mund të bëhet apel.
3. Vendimi mund të rishikohet në përputhje me rregullat e zakonshme lidhur me rrethana ose fakte ose ligje të reja.”
50. Pas një amendamenti në KPP më 25 mars 2005, paraqitja e një kërkese në gjykatë për përfundimin e procedurave me anë të marrëveshjes për deklarimin e fajësisë nuk ishte më e drejtë e posaçme e prokurorit. Një kërkesë e tillë gjithashtu mund të paraqitej edhe nga i akuzuari (neni 679-1 § 1). Më tej, përmbajtja e shkresës së prokurorit nuk ishte më konfidenciale (neni 679-2 § 4), duke ndaluar kështu pjesën që përmbante informacionet që i akuzuari kishte dhënë gjatë hetimeve. I njëjti amendament e bëri të detyrueshëm zhvillimin e një seance dëgjimore ku gjykata të miratonte marrëveshjen procedurale të shënuar fjalë për fjalë (verbatim) në procesverbalin e procedurave (neni 679-3 § 4).
51. Më tej, amendamenti i 25 marsit 2005 e bëri të detyrueshme për gjykatën, gjatë shqyrtimit të marrëveshjeve ligjërisht të depozituara për deklarim të fajësisë, që t’ia shpjegojë të pandehurit që, nëse ai bën ankesë për trajtim të paduhur nga prokuroria gjatë negociatave pararendëse, një ankesë e tillë nuk do ta pengonte miratimin e marrëveshjes për deklarim të fajësisë (neni 679‑3 § 2(1)).
52. Më tej, ndërkohë që para 25 marsit 2005 neni 679-6 kishte parashikuar vetëm mundësinë e apelit kundër një vendimi që e deklaronte marrëveshjen procedurale nul dhe të pavlefshme, amendamenti në fjalë i jepte të akuzuarit mundësinë e bërjes së apelit pranë gjykatës së lartë kundër miratimit të marrëveshjes brenda pesëmbëdhjetë ditëve pas vendimit në qoftë se
“(a) marrëveshja procedurale është arritur duke përdorur mashtrimin;
(b) të drejtat e mbrojtjes së të akuzuarit kanë qenë të kufizuara;
(c) marrëveshja procedurale është arritur përmes dhunës, forcës, kërcënimeve ose frikësimit;
(d) gjykata që ka trajtuar çështjen i ka neglizhuar detyrat e saj siç janë parashikuar [në nenet e mësipërme].”
53. Amendamenti në fjalë nuk saktësonte nëse apeli mund të depozitohej, mbi bazat e lartpërmendura, kundër vendimeve para 25 marsit 2005.
B. Këshilli i Evropës
1. Rekomandimi Nr. R (87) 18 i Komitetit të Ministrave drejtuar Shteteve Anëtare Lidhur me Thjeshtimin e Drejtësisë Penale
54. Ky Rekomandim u miratua nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës më 17 shtator 1987 dhe kishte të bënte me procedurat e thjeshtuara dhe procedurat e shkurtuara. Pjesa përkatëse thotë si vijon:
“Duke pasur parasysh rritjen e numrit të çështjeve penale të referuara në gjykatë, e posaçërisht ato ku parashikohen dënime të lehta, dhe problemet e shkaktuara nga kohëzgjatja e procedurave penale;
Duke pasur parasysh që vonesa në trajtimin e krimeve diskrediton të drejtën penale dhe ndikon në administrimin e duhur të drejtësisë;
Duke pasur parasysh që vonesat në administrimin e drejtësisë penale mund të zgjidhen, jo vetëm me anë të caktimit të burimeve të veçanta dhe mënyrës se si shfrytëzohen ato, por edhe me anë të një përkufizimi më të qartë të prioriteteve për zhvillimin e politikës ndaj krimit, për sa i përket formës dhe substancës, duke:
- iu referuar parimit të ndjekjes penale diskrecionale;
- përdorur masat e mëposhtme gjatë trajtimit të veprave të kundërvajtjes dhe atyre masive:
- të ashtuquajturat procedura të shkurtuara,
- marrëveshjet jashtëgjyqësore nga autoritetet kompetente të çështjeve penale dhe autoritete të tjera ndërhyrëse, si alternativë e mundshme ndaj ndjekjes penale,
- të ashtuquajturat procedura të thjeshtuara;
- thjeshtimin e procedurave të zakonshme gjyqësore...”
2. Respektimi i Detyrimeve dhe Zotimeve nga Gjeorgjia, Raporti i Komitetit për Respektimin e Detyrimeve dhe Zotimeve nga Shtetet Anëtare të Këshillit të Evropës (Komisioni Monitorues) 21 dhjetor 2005
55. Në pjesët e shkëputura relevante nga Raporti i lartpërmendur i Komisionit Monitorues thuhet si vijon:
“44. Bashkëraportuesit gjithashtu kanë rezerva në lidhje me tendencën në rritje e sipër të transplantimit të modeleve ligjore të huaja, zakonisht jo-evropiane, në sistemin gjyqësor vendas të Gjeorgjisë. Kështu është, për shembull, në rastin e marrëveshjes së fundit për deklarim të fajësisë, e cila përpiqet të imitojë praktikën ligjore të Shteteve të Bashkuara, dhe të cilës bashkëraportuesit do t’i rikthehen në paragrafin lidhur me luftën kundër korrupsionit. ...
47. Ndërkohë që është e qartë se autoritetet duhet të marrin parasysh kërkesat e publikut për veprime të menjëhershme dhe të vendosura në çështjet më famëkeqe të pretendimeve për korrupsion, bashkëraportuesit insistojnë që pritshmëritë popullore nuk mund të justifikojnë shkeljet e të drejtave të të dyshuarve dhe dështimin në respektimin e parimeve bazë të procedurës së duhur penale. Arrestimet e disa ish-zyrtarëve të akuzuar për korrupsion kryheshin në rrethana spektakolare, shpesh pa urdhërarrest edhe në rastet kur nuk kishte tregues që të dyshuarit synonin të arratiseshin. Organizatat e të drejtave të njeriut raportuan shumë raste të forcës së tepruar, disa arrestime u filmuan dhe pamjet – poshtëruese për dinjitetin njerëzor të të dyshuarve – u transmetuan në shumë kanale televizive. Respekti për parimin e prezumimit të pafajësisë për disa kategori të të dyshuarve ende nuk ka hedhur rrënjë në Gjeorgjinë e re.
48. Për sistemin e “marrëveshjes për deklarimin e fajësisë”, i cili mundëson që disa të dyshuarve t’u reduktohen ose t’u hiqen akuzat në këmbim të pagimit të parave që ata supozohet të kenë kepërdorur, më e pakta që mund të thuhet është se ai është kontradiktor. Ndërkohë që një marrëveshje e tillë përdoret gjerësisht në Shtetet e Bashkuara dhe në disa vende anëtare të Këshillit të Evropës, zakonisht bëhet fjalë për marrëveshje ku të akuzuarit bien dakord të deklarohen fajtorë (të denoncojnë fajtorë etj.) në këmbim të një akuze më të lehtë. Marrëveshja e tillë në Gjeorgji shkon një hap më tej duke futur një element financiar – të akuzuarve u kërkohet të ripaguajnë një shumë të caktuar, e përafërt me shumën të cilën ata supozohet të kenë vjedhur. Në këmbim prokurori bie dakord të reduktojë ose t’i heqë akuzat. Marrëveshja në fund duhet të miratohet nga një gjyqtar.
49. Bashkëraportuesit konsiderojnë që veçantitë e versionit gjeorgjian të sistemit të marrëveshjeve të tilla, posaçërisht futja e elementit financiar dhe mënyra në dukje arbitrare në të cilën ai në disa raste zbatohet e në disa raste të tjera nuk zbatohet, e bëjnë këtë praktikë të papajtueshme me standardet e Këshillit të Evropës. Sistemi jo vetëm që mund të krijojë përshtypjen që hajdutët e mëdhenj lejohen të blejnë imunitetin karshi drejtësisë, por është njëkohësisht shqetësues sepse mungesa e kontrollit dhe ekuilibrit ligjor dhe administrativ në polici, në shërbimet prokuroriale dhe në gjykatat gjeorgjiane krijon rrezik për abuzime. Bashkëraportuesit shohin që paratë e përftuara përmes “marrëveshjeve për deklarimin e fajësisë” (rreth 30 milionë USD deri tani) janë shumë të rëndësishme dhe kanë ndihmuar për të paguar pensione dhe për të plotësuar nevoja të menjëhershme, por ata nuk janë dakord me nocionin e sugjeruar nga Prokurori i Përgjithshëm që efikasiteti i drejtësisë mund të matet me të ardhurat buxhetore që ai ndihmon të gjenerohen. Pas vitesh të tëra korrupsioni të gjerë dhe shpërfilljeje sistematike për sundimin e ligjit, Gjeorgjia ka nevojë për drejtësi e cila të jetë efikase dhe e barabartë për të gjithë.
50. Rrjedhimisht, raportuesit u bëjnë thirrje autoriteteve gjeorgjiane që të rishikojnë menjëherë dhe në mënyrë substanciale procedurën ekzistuese të marrëveshjeve për deklarimin e fajësisë, në mënyrë që ajo të sillet në vijën e standardeve të Këshillit të Evropës.”
3. Rezoluta 1415 (2005) e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës
56. Më 24 janar 2006 Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pasi shqyrtoi Raportin e lartpërmendur të Komisionit Monitorues, miratoi Rezolutën 1415 (2005), pjesët relevante të shkëputura nga e cila lexojnë si vijon:
“9. Asambleja, pas konsultimeve me autoritetet gjeorgjiane, ... i kërkon Gjeorgjisë që të: ...
Rishikojë thelbësisht praktikën aktuale të sistemit të “marrëveshjeve për deklarim të fajësisë” e cila - në formën e saj të tanishme - nga njëra anë lejon që disa shkelës të supozuar të ligjit të përdorin të ardhurat e krimeve të tyre për të blerë daljen nga burgu dhe, nga ana tjetër, rrezikon të zbatohet në mënyrë arbitrare, abuzive dhe madje edhe për qëllime politike; ...”
4. Raporti nga Thomas Hammarberg, Komisioner për të Drejtat e Njeriut pranë Këshillit të Evropës, pas vizitës së tij në Gjeorgji nga 18 deri më 20 prill 2011
57. Pjesët relevante të Raportit të lëshuar nga Komisioneri për të Drejtat e Njeriut më 30 qershor 2011, të cilat kishin të bënin me sistemin e marrëveshjeve për deklarim të fajësisë në Gjeorgji, lexojnë si vijon:
“Marrëveshjet për deklarim të fajësisë
63. Komisioneri i kushtoi vëmendje të veçantë çështjes së marrëveshjeve për deklarimin e fajësisë dhe zbatimit të saj në çështje penale.
64. Marrëveshjet për deklarimin e fajësisë tani janë të përhapura në funksionimin e drejtësisë penale në Gjeorgji. Zbatimi i tyre ka qenë në rritje që nga futja e tyre në sistem në vitin 2004. Kryetari i Gjykatës Supreme e informoi Komisionerin që në vitin 2010 marrëveshje të tilla janë zbatuar në 80% të të gjitha çështjeve penale.
65. Është e padiskutueshme që sistemi i marrëveshjes për deklarimin e fajësisë ka qenë vegël e suksesshme në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai gjithashtu ofron përfitimin e rëndësishëm të gjykimit të shpejtë të çështjeve penale, duke lehtësuar ngarkesën e punës së gjykatave, prokurorëve dhe avokatëve. Më tej, ai kontribuon në reduktimin e dënimeve e rrjedhimisht në numrin e të burgosurve, çka është thelbësore duke pasur parasysh numrin e madh të të burgosurve që kanë shkaktuar stërmbushjen e burgjeve në Gjeorgji.
66. Modeli aktual i marrëveshjes për deklarimin e fajësisë, tanimë pjesë e KPP-së, nënkupton deklarimin vetjak të fajësisë ose marrëveshjen me prokurorin në lidhje me dënimin (deklarimi nolo contendere). Iniciator i një marrëveshjeje të tillë mund të jetë i pandehuri ose prokurori.
67. Avokati mbrojtës është i detyrueshëm në kontekstin e marrëveshjes për deklarimin e fajësisë; megjithatë, roli i avokatit në këtë proces është i kufizuar. Sipas informacioneve të marra nga Komisioneri, shumica e të pandehurve janë pothuajse të sigurt që do të dënohen, dhe avokatët, në vend që të punojnë drejt shfajësimit të klientëve të tyre, i këshillojnë ata që të deklarohen fajtorë para prokurorit për të reduktuar dënimin në minimum. Kjo qasje është posaçërisht e zakonshme në rastet e shkeljeve për të cilat ndëshkimi i parashikuar është burgosja. Sidoqoftë, Zv/Ministri i Drejtësisë theksoi që dispozitat e Kodit të ri të Procedurës Penale të cilat parashikojnë të drejta të shtuara për mbrojtjen do të ndikojnë po ashtu pozitivisht në kontekstin e marrëveshjeve për deklarim të fajësisë.
68. Një shqetësim i Komisionerit ka të bëjë me pushtetin e diskrecionit të prokurorit gjatë negociatave për marrëveshjen për deklarimin e fajësisë. Për shembull, prokurori tani mund të kërkojë dënime edhe më të ulëta sesa dënimi minimal i parashikuar në ligj, një kompetencë të cilën shumë besojnë se do të duhej ta kishte gjyqtari. Përveç kësaj, ligji nuk e përcakton shkallën e kërkuar të bashkëpunimit të një të pandehuri me prokurorinë, çka lë vend për subjektivitet dhe papajtueshmëri të praktikës.
69. Një marrëveshje për deklarim të fajësisë miratohet me vendim të gjykatës. Gjatë shqyrtimit të marrëveshjes nga gjykata, gjyqtari duhet të sigurojë që marrëveshja për deklarim të fajësisë nuk është arritur me anë të detyrimit dhe frikësimit dhe duhet të shqyrtojë provat që mbështesin akuzat. Autoritetet konstatojnë që mbikëqyrja gjyqësore e marrëveshjes për deklarim të fajësisë është një mbrojtje e rëndësishme, duke theksuar që gjykata mund të refuzojë ta pranojë marrëveshjen nëse akuzat janë të pavërtetuara apo nëse vërehen shkelje. Sidoqoftë, avokatët shprehen se në praktikë, gjyqtari mbështetet në thelb mbi provat që paraqet prokurori gjatë shqyrtimit të kushteve të marrëveshjes, dhe në shumicën dërrmuese të rasteve gjyqtari bie dakord me kërkesat e prokurorit.
70. Një nga të veçantat e sistemit të marrëveshjes për deklarim të fajësisë në Gjeorgji është në lidhje me nenin 42 të Kodit Penal, i cili parashikon që mund të vendosen gjoba në kuadër të marrëveshjeve për deklarim të fajësisë edhe për shkelje të Kodit Penal për të cilat kjo formë e ndëshkimit nuk është e parashikuar. Sipas Transparency International në Gjeorgji, në praktikë gjobat paguhen në 99% të rasteve, një shifër e cila kontestohet nga autoritetet. Procesit i mungon transparenca për shkak të mungesës së kritereve të qarta për caktimin e gjobave. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut në Tbilisi pretenduan se kjo bëhet mbi bazën e një vlerësimi të mundësisë së të pandehurit për të paguar; kjo ka krijuar një perceptim që liria mund të blihet.
71. Megjithëse zbatimi i sistemit të marrëveshjeve për deklarim të fajësisë në praktikë ka krijuar shqetësime, autoritetet shprehen se në sistem ekzistojnë mbrojtje të mjaftueshme. Megjithatë, Zv/Ministri i Drejtësisë njohu nevojën për rritjen e transparencës së sistemit dhe përmirësimin e perceptimeve.
72. Ligji njëkohësisht parashikon lirim të plotë nga dënimi në raste të jashtëzakonshme kur ka bashkëpunim efektiv me hetimet. Ndërkohë që kjo mundësi natyrisht që mund të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve penale, janë raportuar raste abuzimesh në këtë kontekst. ...
73. Po ashtu janë ngritur shqetësime që sistemi i marrëveshjes për deklarimin e fajësisë mund të bëjë që të pandehurit të mos duan të ankohen për keqtrajtim ose përdorim të tepruar të forcës nga policia, nëse këto ndodhin. Autoritetet në të kaluarën e kanë njohur këtë si problem dhe kanë vendosur mbrojtje. Megjithatë, problemi mund të mos qëndrojë tek ekzistenca e vetë sistemit të marrëveshjeve për deklarim të fajësisë por, siç është shënuar, tek konteksti në të cilin ai po funksionon. Përballë dënimit pothuaj të sigurt, për shumë të pandehur marrëveshja për deklarim të fajësisë është e vetmja alternativë për dënim më të lehtë, dhe i pandehuri ka më pak gjasa të ngrejë ankesa të justifikuara për keqtrajtim nëse ekziston një rrezik i perceptuar që kjo mund të dëmtojë shanset për arritjen e një marrëveshjeje me prokurorin.
Përfundime dhe rekomandime
74. Funksionimi i sistemit të marrëveshjes për deklarimin e fajësisë nuk mund dhe nuk duhet të shihet si i ndarë nga funksionimi i tërë sistemit të drejtësisë penale. Kombinimi i shumë faktorëve – shifrat e larta të dënimeve, një politikë e rreptë e dënimi dhe besimi i ulët publik në administrimin e sistemit të drejtësisë – ka shumë mundësi të ndikojnë që të pandehurit të deklarohen fajtorë edhe nëse janë të pafajshëm, duke çuar në shtrembërimin e drejtësisë.
75. Është e rëndësishme të mbahet parasysh që duke dhënë pëlqimin për deklarimin e fajësisë i pandehuri heq dorë nga disa të drejta, përfshirë të drejtën për të dhënë dëshmi dhe të drejtën për gjyq. Komisioneri vëren se ndërkohë që në legjislacion mund të jenë caktuar mbrojtje, zbatimi i tyre në praktikë ka qenë objekt kritikash. Gjyqtarët duhet të ushtrojnë kontroll të përshtatshëm mbi marrëveshjet për deklarimin e fajësisë dhe të sigurohen që këto mbrojtje të zbatohen në tërësi në praktikë. Komisioneri gjithashtu është i shqetësuar me rolin shumë të kufizuar që luan pala mbrojtëse në negociatat e marrëveshjes për deklarimin e fajësisë.
76. Është thelbësore që deklarimi i të pandehurit të jetë gjithmonë vullnetar dhe i çliruar nga çdo presion i paduhur. Për këtë qëllim, sistemi më tej ka nevojë për zhvillimin e standardeve objektive për negociata mes palës së mbrojtjes dhe asaj të akuzës, përfshirë një përkufizim më të qartë të konceptit “bashkëpunim me hetimet”, si dhe kritere të qarta për caktimin e shumës së gjobave të vendosura për të pandehurin.
77. Së fundi, ka nevojë urgjente për hapa konkrete drejt rritjes së transparencës së sistemit. Komisioneri i mbështet përpjekjet e autoriteteve në këtë drejtim dhe i inkurajon ata të ndërmarrin një qasje gjithëpërfshirëse duke u konsultuar me të gjitha grupet përkatëse, përfshirë edhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe juristët.”
C. Transparency International
58. Në shkurt 2010, Transparency International në Gjeorgji (TI Gjeorgji), një degë kombëtare e organizatës së lartpërmendur jo qeveritare ndërkombëtare, nxori raportin e saj të parë analitik në lidhje me sistemin e marrëveshjeve për deklarimin e fajësisë në Gjeorgji – Marrëveshja për Deklarimin e Fajësisë në Gjeorgji.
59. Pas paraqitjes së procedurës, arsyetimit të Shtetit për futjen e marrëveshjeve për deklarimin e fajësisë në sistemin e tij ligjor, fakteve lidhur me përdorimin e tij (sipas të dhënave statistikore zyrtare, në vitin 2005 numri i çështjeve penale të përmbyllura me anë të marrëveshjeve për deklarimin e fajësisë përbënte 12.7%), raporti analizoi rreziqet që modeli unik i Gjeorgjisë për marrëveshje të tilla paraqiste ndaj të drejtës për gjyq të drejtë.
60. Kështu, në disa nga pjesët e shkëputura relevante nga kjo pjesë e fundit e raportit thuhet si vijon (të gjitha statistikat e përmendura në raport ishin zyrtare, të marra nga TI Gjeorgjia prej Gjykatës Supreme të Gjeorgjisë ose prej GPO-së):
“...Statistikat tregojnë që marrëveshjet për deklarim të fajësisë, pasi arrihen mes të pandehurit dhe prokurorit, pothuajse gjithmonë miratohen.
Në teori, kryetari i trupit gjykues ka për qëllim të sigurojë që marrëveshja për deklarimin e fajësisë nuk është arritur si rezultat i presionit të paduhur mbi të pandehurin dhe që marrëveshja është bërë në mënyrë të vullnetshme. Gjyqtari gjithashtu duhet të sigurohet që të drejtat thelbësore të të pandehurit (siç është e drejta e ndihmës nga avokati mbrojtës) nuk janë shkelur. Në praktikë, vetëm tetë marrëveshje për deklarim të fajësisë janë refuzuar nga gjyqtarët gjeorgjianë në vitin 2008, nga një total prej 8770 të tilla atë vit, një përqindje prej më pak se 0.1%. Gjyqtarët po ashtu duhet të garantojnë që ka argumente prima facie. Me fjalë të tjera, gjyqtari duhet të jetë i bindur që provat e paraqitura nga prokurori të konsiderohen të mjaftueshme për në arsyetuar një gjyq të plotë. Dallimi është se, në një marrëveshje për deklarim të fajësisë, provat nuk janë vënë në pyetje nga i pandehuri.
Avokatët e intervistuar nga TI Gjeorgjia të gjithë dyshonin që gjyqtarët i kishin shqyrtuar argumentet prima facie ‘në mënyrën më procedurale të mundshme’. Një shembull i dështimit të supozuar të gjyqtarëve për t’i shqyrtuar çështjet si duhet është ai i Natsvlishvili dhe Togonidze kunëdr Gjeorgjisë, ku i pandehuri tha që prokurori pranoi të hynte në marrëveshje për deklarimin e fajësisë pasi ai t’ia transferonte qeverisë aksionet në një fabrikë prodhimi makinash dhe të paguante 50.000 GEL “me vullnetin e tij të lirë”. Më pas gjykata miratoi një marrëveshje për deklarim të fajësisë, bazuar mbi një gjobë zyrtare prej 35.000 GEL, e cila nuk përfshinte “dhuratat” e paguara përpara, pa i parë fare pagesat e dyshimta. ...
Një Prokuror i Gjithëdijshëm?
Nëse akuzohesh për një krim në Gjeorgji, të jesh i sigurt që do të gjendesh fajtor. Shifrat e dënimeve janë jashtëzakonisht të larta. Prej 17,639 çështjeve penale të depozituara në gjykatat gjeorgjiane gjatë vitit 2008, vetëm shtatë prej tyre përfunduan me shfajësim dhe 111 të tjera u përmbyllën para se të arrihej aktgjykimi. Kjo përbën një përqindje dënimesh prej 99%, çka kundërshtarët e marrëveshjeve për deklarim të fajësisë e quajnë rezultat të drejtpërdrejtë të humbjes së pavarësisë gjyqësore të shkaktuar nga praktika. Prokurorët thonë që shifrat e larta të dënimeve janë rezultat i “punës së madhe” dhe “ndjekjes së kujdesshme penale” dhe janë prova të funksionimit të mirë të sistemit.
Zëvendës kryegjyqtari i Gjykatës Supreme, Zaza Meishvili, diskuton që shifrat e dënimeve nuk janë fare të jashtëzakonshme krahasuar me SHBA, ku 90-95% e çështjeve penale përfundojnë me marrëveshje për deklarim të fajësisë e rrjedhimisht me aktgjykim fajësues.
Dallimi, sidoqoftë, është se një pjesë shumë e madhe e çështjeve pa marrëveshje për deklarimin e fajësisë në Gjeorgji gjithashtu përfundojnë me dënime. Shumica e vendeve kanë shifra të dënimeve shumë më të ulëta sesa ato të Gjeorgjisë. Për shembull, mes vendeve të OECD-së, vetëm shifrat e dënimeve prej 99.7% të Japonisë ia kalojnë shifrave të Gjeorgjisë. ...
Ndërkohë që proporcioni i gjykimeve të pafajshme ka rënë që kur kanë filluar marrëveshjet për deklarim të fajësisë në vitin 2004, shifrat ishin aq të ulëta përpara saqë nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim i madh. Kemi ardhur nga dënimet në 97% në vitin 2003 në 99% në vitin 2009. Në fakt, në vitin 2005, viti kur marrëveshjet për deklarim të fajësisë nga një masë anti-korrupsion u shndërruan në praktikë të gjerë në çështjet më të thjeshta penale, numri i gjykimeve me pafajësi dhe çështjeve të mbyllura pothuajse është dyfishuar dhe shifrat e dënimeve kanë rënë në 94%, më të ulëtat të shënuara ndonjëherë.
Shpjegimi për shifrat e larta të dënimeve nuk ka të bëjë me marrëveshjet për deklarimin e fajësisë aq sa ka të bëjë me trashëgiminë ligjore të Gjeorgjisë sovjetike, një sistem në të cilin mbretëronte rrëfimi. Siç është shprehur një akademik: ‘personi më i fuqishëm në modelin sovjetik të drejtësisë penale ka qenë, dhe vazhdon të mbetet, prokurori. Ai ose ajo ka qenë përgjegjës/e për drejtimin e tërë procedurës penale, dhe nuk ka menduar shumë për përdorimin e rrëfimeve të detyruara, provave të rreme ose paraburgimit paragjyqësor si metoda për të nxjerrë rrëfime’.
Zëvendës Kryegjyqtari i Gjykatës Supreme, Zaza Meishvili, e riafirmoi për TI Gjeorgjia shpeshtësinë e lartë të rrëfimeve, duke thënë se “shumica dërrmuese” e marrëveshjeve për deklarimin e fajësisë përfshinin rrëfimin e të pandehurit.
Nuk Ka Zgjedhje Tjetër Përveç Marrëveshjes
Por, ndërkohë që nuk mund të fajësojmë marrëveshjet për deklarim të fajësisë për shifrat e larta të dënimeve, gjasat e jashtëzakonshme statistikore të dënimit kanë një efekt tjetër shumë negativ. Thelbi i marrëveshjes për deklarim të fajësisë dikton që ajo duhet të jetë vetëm aq, një proces negociimi ku i pandehuri përpiqet të nxjerrë dënimin më të lehtë të mundshëm nga prokurori. Kjo është e mundur vetëm kur i pandehuri ka hapësirë të mjaftueshme për të arritur një marrëveshje të tillë që ia vlen me prokurorin. Me fjalë të tjera, prokurori e di që nëse ai nuk bie dakord me kushtet e të pandehurit atij do t’i duhet të kalojë nëpër një proces të gjatë, ndoshta në tre nivele të gjykatave. Kur shifrat e dënimeve i afrohen 100%, kjo hapësirë dobësohet shumë, duke i lejuar prokurorëve që të diktojnë kushtet dhe i lë të pandehurit me ofertën “merre ose lëre”.
Në sisteme me shifra të larta të dënimeve marrëveshja për deklarimin e fajësisë nuk funksionon. Kur edhe të pandehurit e pafajshëm ndiejnë presion për të “pranuar fajin” për shkak se gjasat statistikore të shpalljes të pafajshëm janë aq të ulëta, pushteti mbetet në duart e prokurorëve. Kështu, nëse shifrat e dënimeve në Gjeorgji nuk zbresin në nivele më realiste, marrëveshjet për deklarim të fajësisë si institucion nuk mund të funksionojnë në mënyrë efektive.”
61. Sipas statistikave zyrtare të marra nga TI Gjeorgjia prej Gjykatës Supreme të Gjeorgjisë dhe të cituara në dy raportet e saj të lartpërmendura, ritmi i vendimeve gjyqësore që shpallin të pandehurit të pafajshëm në Gjeorgji ishte në 0.4% në vitin 2004, 0.7% në vitin 2005, 0.2% në vitin 2006 dhe kishte mbetur në 0.1% mes viteve 2007 dhe 2009.
III. STUDIM KRAHASUES
62. Nga tridhjetë shtete anëtare të Këshillit të Evropës të studiuara për ekzistencën e procedurave penale të ngjashme nga natyra me sistemin e marrëveshjeve për deklarim të fajësisë në Gjeorgji, nuk ekziston asnjë mekanizëm i barasvlershëm në tre vendet në vijim – Azerbajxhan, Greqi dhe Turqi. Pak vende të tjera (Austria, Danimarka dhe Portugalia), ndërkohë që nuk kishin miratuar legjislacion që vendoste marrëveshjet për deklarim të fajësisë si koncept ligjor brenda sistemeve të tyre ligjore, janë gjithsesi të njohura me marrëveshje të tilla ose me procese të ngjashme në praktikë.
63. Austria, Belgjika, Franca dhe Lihtenshtajni kanë procedura që përmbajnë elemente të marrëveshjeve për deklarim të fajësisë që çojnë në ndërprerjen e procedurave penale, ndërkohë që Bonja dhe Hercegovina, Bullgaria, Republika Çeke, Estonia, Franca, Gjermania, Hungaria, Italia, Malta, Moldavia, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Rusia, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Zvicra, Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar (Anglia dhe Uelljs) kanë procese të vendosura të marrëveshjeve për deklarim të fajësisë që rezultojnë në dënime penale.
64. Përveç kësaj, Austria, Republika Çeke, Hungaria, Mali i Zi, Rusia dhe Serbia kanë mundësinë për dhënien e një dënimi më të lehtë, për të hequr akuzat ose për të ndërprerë procedurat penale nëse i pandehuri bashkëpunon me autoritetet duke kontribuar kështu në zgjidhjen e një çështjeje penale.
65. Marrëveshjet për deklarim të fajësisë në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës kryesisht janë në formën e marrëveshjeve për dënimin, dhe kështu është në Bosnjë dhe Hercegovinë, Bullgari, Republikën Çeke, Estoni, Francë, Gjermani, Hungari, Itali, Maltë, Moldavi, Mal të Zi, Rumani, Rusi, Serbi, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Zvicër, Ukrainë dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Marrëveshje për akuzat e ngritura mund të gjenden në Hungari, Serbi, Slloveni, Spanjë, Zvicër dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Anketa tregon që marrëveshjet për dënimin janë praktikë më e zakonshme në Shtetet e Këshillit të Evropës sesa marrëveshjet për akuzat e ngritura. Ky aspekt është i lidhur ngusht me parimin e ligjshmërisë që jep më pak hapësirë që pala e akuzës të ndryshojë dhe të heqë akuzat e ngritura.
66. Marrëveshjet për deklarim të fajësisë që çojnë në dënim penal shqyrtohen, pa përjashtim, nga një gjykatë kompetente. Në këtë kuptim, gjykatat kanë për detyrë të verifikojnë nëse një marrëveshje për deklarim të fajësisë është arritur në përputhje me rregullat e zbatueshme procedurale dhe substanciale, nëse i pandehuri ka hyrë në këtë marrëveshje në mënyrë të vullnetshme dhe me dijeni të plotë, nëse ka prova që mbështesin deklarimin e fajësisë nga ana e të pandehurit dhe nëse kushtet e marrëveshjes janë të përshtatshme.
67. Si rezultat i anketës, mund të konstatohet që gjykata që merret me çështjen në përgjithësi ka për detyrim ta shqyrtojë dosjen e lëndës para se të vendosë nëse do ta miratojë apo do ta refuzojë marrëveshjen për deklarim të fajësisë dhe duhet të sigurohet që provat e paraqitura në dosje e mbështesin deklarimin fajtor ose rrëfimin e bërë nga i pandehuri. Ndryshe nga kjo, në Itali gjykatës nuk i kërkohet me ligj të shqyrtojë provat ose të sigurohet që ka argumente prima facie kundër të akuzuarit, dhe në Zvicër gjykata gjithashtu nuk është automatikisht e detyruar të shqyrtojë provat. Legjislacioni rus nuk parashikon detyrim eksplicit të gjykatave për të shqyrtuar provat në rastet e marrëveshjeve për deklarim të fajësisë. Një detyrim i tillë megjithatë, në mënyrë të argumentueshme, mund të nënkuptohet nga detyrimi që ka gjykata e cila merret me çështjen që të verifikojë përmbushjen e të gjitha kushteve për miratimin e marrëveshjes për deklarim të fajësisë.
68. Në raste më të rralla, gjykatave u kërkohet me ligj që, të paktën në rrethana të caktuara, të urdhërojnë dhe të ekzaminojnë prova shtesë të cilat nuk gjenden ende në dosjen e lëndës, në rastet e procedurave të përshpejtuara. Në këtë aspekt, gjykatat gjermane vazhdojnë të mbajnë detyrimin e tyre për të urdhëruar prova që synojnë zbulimin e çdo aspekti të çështjes që mund të jetë relevant për vendimin e tyre, edhe nëse marrëveshja për deklarimin e fajësisë tashmë është arritur. Në Mbretërinë e Bashkuar, nëse faktet vihen në pikëpyetje, gjykata duhet të ftohet të konstatojë faktet, dhe kështu të japë një dënim mbi atë bazë.
69. Në shumicën e vendeve të anketuara, marrëveshjet për deklarimin e fajësisë arrihen nga prokurori dhe i pandehuri, dhe më pas shqyrtohen nga gjykata. Në këtë skenar, gjykatat në parim kanë pushtetin për të miratuar ose refuzuar marrëveshjen për deklarim të fajësisë por jo për të modifikuar kushtet e saj. Në Bullgari gjykatat janë të lejuara që të propozojnë ndryshime në marrëveshjet për deklarim të fajësisë që u kërkohet të shqyrtojnë. Megjithatë, marrëveshje të tilla duhet të pranohen nga i pandehuri, avokati mbrojtës dhe prokurori. Në Gjermani, Rumani e deri diku edhe në Mbretërinë e Bashkuar, kushtet e marrëveshjes përcaktohen nga gjykata kompetente (e nuk bazohen mbi një marrëveshje paraprake mes palës së akuzës dhe palës së mbrojtjes).
70. Mbi bazën e anketës, mund të konfirmohet që procesi i marrëveshjeve për deklarim të fajësisë shpie drejt procedurave gjyqësore të përshpejtuara në çdo vend ku një proces i tillë ekziston. Prandaj mbrojtjet procedurale dhe garancitë gjyqësore ndikohen nga arritja e marrëveshjeve për deklarim të fajësisë. Sidoqoftë, për të kundërvepruar karshi këtyre efekteve, ofrohen një sërë mbrojtjesh.
71. Për shembull, përfaqësimi i të pandehurit nga avokati është i detyrueshëm në Bullgari, në Republikën Çeke, në Francë (për çdo paraqitje në gjykatë pas pranimit paraprak të fajit (comparution sur reconnaissance préalable de culpabilité)), në Hungari, Maltë, Moldavi, Rusi, Serbi dhe Slloveni. Vendet e tjera të anketuara nuk kanë rregulla të veçanta që kërkojnë përfaqësimin nga avokati mbrojtës në rastet e marrëveshjeve për deklarim të fajësisë, kështu që zbatohen rregullat e zakonshme lidhur me përfaqësimin ligjor.
72. Arritja e një marrëveshjeje për deklarim varet nga rrëfimi prej të pandehurit në Austri dhe Lihtenshajn (në të dy Shtetet ekziston vetëm koncepti i Diversionit, çka shpie në ndërprerjen e procedurave penale), në Bosnje dhe Hercegovinë, në Republikën Çeke, Estoni, Francë, Gjermani, Hungari, Maltë, Moldavi, Mal të Zi, Rumani, Rusi, Serbi, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Zvicër, Ukrainë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Italia, nga ana tjetër, bën përjashtim: marrëveshja për deklarim të fajësisë nuk ka domosdoshmërisht nevojë të përfshijë pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit.
73. Megjithatë, në pothuaj të gjitha vendet e anketuara, me përjashtim të Rumanisë me sa duket, deklarimi fajtor i të pandehurit mund të përdoret vetëm për qëllime të marrëveshjes për deklarim të fajësisë. Nëse marrëveshja për deklarim të fajësisë nuk arrihet ose nëse refuzohet nga gjykata, deklarimi fajtor ose rrëfimi i të pandehurit nuk mund të përdoret kundër tij.
74. Gjykatat vendosin në lidhje me marrëveshjen për deklarim të fajësisë në seancë dëgjimore në këto vende: Austri, Lihtenshtajn, Bosnje dhe Hercegovinë, Bullgari, Republika Çeke, Estoni, Francë, Gjermani, Hungari, Itali, Maltë, Moldavi, Mal të Zi, Rumani, Rusi, Serbi, Sllovaki, Spanjë, Zvicër dhe Mbretërinë e Bashkuar. Prania e të pandehurit në seancën dëgjimore kërkohet shprehimisht nga ligji, për shembull, në Bullgari, Mal të Zi, Rumani, Rusi, Hungari dhe Sllovaki. Nga ana tjetër, prania e të pandehurit nuk kërkohet me doemos në Itali.
75. Në shumicën e vendeve të anketuara, e drejta për të apeluar kufizohet pas arritjes së marrëveshjes për deklarim të fajësisë. Duket se hiqet dorë krejtësisht nga e drejta për të apeluar në rast marrëveshjeje për deklarim të fajësisë (të paktën kur marrëveshja për deklarim të fajësisë miratohet nga gjykata) në Slloveni. Arritja e një marrëveshjeje për deklarim të fajësisë rezulton në kufizimin e të drejtës për apel në Bosnje dhe Hercegovinë, Bullgari, Republikën Çeke, Estoni, Hungari, Itali, Maltë, Moldavi, Mal të Zi, Rusi, Sllovaki, Serbi, Spanjë, Zvicër dhe Ukrainë. E drejta për të apeluar mbetet e paprekur në Francë, Austri, Lihtenshtajn, Gjermani, Poloni, Rumani dhe në Mbretërinë e Bashkuar.
E DREJTA
I. SHKELJET E PRETENDUARA TË NENIT 6 § 1 TË KONVENTËS DHE NENIT 2 TË PROTOKOLLIT NR. 7
76. Kërkuesi i parë u ankua mbi bazën e nenit 6 § 1 të Konventës dhe nenit 2 të Protokollit Nr. 7 që procesi i marrëveshjes për deklarim të fajësisë i përdorur në këtë çështje ka qenë abuzim i procesit dhe që nuk ka qenë i mundur apeli në një gjykatë më të lartë kundër miratimit gjyqësor të marrëveshjes për deklarim të fajësisë.
77. Neni 6 § 1 i Konventës dhe neni 2 i Protokollit Nr. 7, në pjesët e tyre përkatëse, lexojnë si vijon:
Neni 6
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht... nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, ... e cila vendos në lidhje me akuzat kundër tij.”
Neni 2 i Protokollit Nr. 7
“1. Çdo person i dënuar për një vepër penale nga një gjykatë ka të drejtë që vendimi për dënim ose dënimi i tij të shqyrtohet nga një gjykatë më e lartë. Ligji rregullon ushtrimin e kësaj të drejte, përfshirë bazat mbi të cilat ushtrohet.”
A. Parashtrimet e Qeverisë
78. Qeveria parashtroi që marrëveshja për deklarim të fajësisë, një formë konsensuale dhe e shkurtuar e drejtësisë penale, ishte inkorporuar me sukses në legjislacionin dhe praktikën e disa Vendeve Evropiane dhe më gjerë në botë në harmoni me garancitë themelore të gjyqit të drejtë. Shfaqja dhe përhapja e marrëveshjeve për deklarim të fajësisë kishte marrë shtysë nga interesat në rritje të ekonomizimit procedural. Qeveria theksoi se që nga viti 1987 Shtetet anëtare të Këshillit të Evropës ishin këshilluar nga Komiteti i Ministrave që të zhvillonin mekanizma të thjeshtimit dhe përshpejtimit të procedurave gjyqësore, të cilat përfshinin vendimet e shkurtuara, negociatat jashtëgjyqësore dhe marrëveshjet për deklarim të fajësisë (shih paragrafin 54 lart). Më tej ato theksuan që procesi i marrëveshjes për deklarim të fajësisë përfaqësonte një mjet praktik nga më të suksesshmit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Futja e marrëveshjeve për deklarim të fajësisë në Gjeorgji në vitin 2004 nuk mund të kuptohej tërësisht pa vlerësuar kontekstin e kriminalitetit dhe korrupsionit tejet të përhapur në vend në atë kohë. Përdorimi i marrëveshjeve për deklarim të fajësisë synonte të shërbente si reagim urgjent ndaj atyre problemeve sistematike.
79. Qeveria parashtroi se marrëveshjet për deklarim të fajësisë në Gjeorgji nënkuptonin heqjen dorë nga disa të drejta të caktuara procedurale në këmbim të një dënimi më të lehtë dhe një gjykimi të përshpejtuar. Pavarësisht nga kjo, garancitë më substanciale të një gjyqi të drejtë ishin ruajtur në të drejtën vendase, dhe ato ishin vënë në praktikë siç duhej në çështjen penale të kërkuesit të parë. Kështu, pikësëpari, kërkuesi i parë ishte përfaqësuar nga një avokat mbrojtës, kishte dhënë miratimin e tij paraprak para fillimit të negociatave me prokurorin publik, dhe kishte bërë pranimin e kërkuar me shkrim, i cili ishte nënshkruar gjithashtu nga avokati i tij, në lidhje me kushtet e marrëveshjes së arritur. Rrjedhimisht, trupi gjykues e kishte shqyrtuar marrëveshjen për deklarim të fajësisë në seancë verbale dhe publike, gjatë së cilës ai kishte analizuar nëse marrëveshja në fjalë ishte arritur me anë të detyrimit dhe në kushte të drejta dhe nëse kërkuesi i parë dëshironte ta pranonte atë me vetëdije të plotë rreth natyrës së akuzave dhe dënimit të mundshëm. Si garanci e mëtejshme, Qeveria përmendi faktin që jo vetëm që kërkuesi i parë kishte pasur të drejtën për ta refuzuar marrëveshjen për deklarim të fajësisë gjatë shqyrtimit të gjykatës, por gjithashtu gjyqtari të cilit i ishte kërkuar të vlerësonte vlefshmërinë e akuzave kishte pasur pushtetin për ta bllokuar marrëveshjen për deklarim të fajësisë në rast dyshimesh rreth përgjegjësisë penale të kërkuesit të parë.
80. Në mbështetje të pretendimit që kërkuesi i parë kishte qenë plotësisht i vetëdijshëm rreth përmbajtjes së marrëveshjes për deklarim të fajësisë dhe kishte dhënë pëlqimin për të me vullnet të lirë, Qeveria iu referua rrethanave faktike në vijim në lidhje me çështjen. Së pari, kërkuesi i parë ishte përfaqësuar nga një avokat i kualifikuar që e kishte zgjedhur ai vetë që nga 16 marsi 2004, të nesërmen e arrestimit të tij (shih paragrafin 15 lart). Më 25 mars 2004 ai i kishte dërguar një letër prokurorit publik, ku shprehte qëllimin e tij për të bashkëpunuar me autoritetet dhe për të arritur një marrëveshje (shih paragrafin 18 lart). Më 1 gusht 2004 kërkuesit të parë iu dha qasje në materialet e dosjes penale, dhe më 6 gusht 2004 ai caktoi një avokat të dytë të kualifikuar që e zgjodhi vetë (shih paragrafin 21 lart). Me përfundimin e hetimeve dhe përfshirjen e provave kundër kërkuesit të parë në dosjen e lëndës më 6 shtator 2004, prokurori publik kishte ngritur aktakuzën ku kërkuesi i parë akuzohej për shpërdorime të mëdha të fondeve publike. Pasi ishte njohur mirë me aktakuzën dhe me provat e mbledhura, kërkuesi i parë, i përfaqësuar nga dy avokatët e tij, sërish e kishte konfirmuar gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me autoritetet dhe në të njëjtën ditë, 6 shtator 2004, ia kishte transferuar Shtetit aksionet që kishte në fabrikë si kompensim i dëmit të shkaktuar nga sjellja e tij (shih paragrafët 22 dhe 23 lart).
81. Më 9 shtator 2004 kërkuesi i parë kishte paraqitur një deklaratë tjetër me shkrim para prokurorit publik. Ai kishte shprehur dëshirën e tij për të arritur një marrëveshje për deklarim të fajësisë për sa i përkiste dënimit dhe për të paguar 35.000 GEL si gjobë. Në atë deklaratë, ai kishte konfirmuar shprehimisht që ai e kuptonte tërësisht konceptin e marrëveshjes për deklarimin e fajësisë. Në të njëjtën datë, prokurori publik e kishte vizituar kërkuesin e parë në burg, ku, në praninë e dy avokatëve të këtij të fundit, ishte hartuar procesverbali me shkrim i marrëveshjes dhe ishte nënshkruar nga të gjitha palët e interesuara. Më pas, ai procesverbal ishte shqyrtuar siç duhet nga gjykata (shih paragrafët 27-29 lart).
82. Për sa i përket mjaftueshmërisë së shqyrtimit gjyqësor të marrëveshjes për deklarim të fajësisë mes kërkuesit të parë dhe autoritetit prokurorial, Qeveria parashtroi që gjatë seancës së 10 shtatorit 2004 gjyqtari kishte siguruar që marrëveshja ishte arritur në bazë të vullnetit të lirë dhe pëlqimit të informuar të kërkuesit të parë. Në mbështetje të kësaj, Qeveria iu referua pjesëve përkatëse të shkëputura nga procesverbali i seancës. Qeveria theksoi se Gjykata e Qytetit të Kutaisit kishte pasur mundësi të plotë për të verifikuar nëse garancitë e procesit të duhur gjyqësor ishin respektuar nga palët gjatë negociatave për marrëveshjen për deklarim të fajësisë, duke marrë parasysh që ajo e kishte dosjen e plotë të lëndës përpara, përfshirë: deklaratën e kërkuesit të parë dhënë më 9 shtator 2004 ku shprehej dëshira e tij për të arritur marrëveshje për deklarim të fajësisë; vetë marrëveshja, e nënshkruar nga kërkuesi i parë dhe avokati i tij si dhe nga prokurori publik; dhe kërkesa e prokurorit që gjykata ta pranonte atë marrëveshje.
83. Më tej, siç u konfirmua nga procesverbali i seancës së 10 shtatorit 2004, Gjykata e Qytetit kishte marrë në pyetje së pari kërkuesin e parë, i cili kishte përsëritur në mënyrë krejtësisht të qartë interesin e tij për përmbylljen e procedurave me anë të marrëveshjes për deklarim të fajësisë. E njëjta gjë ishte konfirmuar edhe nga avokati i tij. Me fjalë të tjera, Gjykata e Qytetit kishte bërë çdo gjë që ishte e mundur për t’u siguruar që kërkuesi i parë kishte hyrë në këtë marrëveshje me vullnet të lirë dhe me vetëdije të plotë. Përndryshe, Gjykata e Qytetit do ta kishte refuzuar marrëveshjen, meqenëse ajo e kishte pushtetin për ta bërë këtë sipas të drejtës së zbatueshme vendase. Më tej Qeveria parashtroi që, edhe sikur marrëveshja për deklarim të fajësisë të kishte qenë e mbrojtur nga një klauzolë konfidencialiteti (neni 679-2 § 4 iKPP-së), e cila kushtëzohej nga një numër konsideratash legjitime, seanca e 10 shtatorit 2004 kishte qenë e hapur për publikun. Në mbështetje të atij pohimi, Qeveria paraqiti deklaratat me shkrim të marra nga avokati i kërkuesit të parë, prokurori dhe një anëtar i Kancelarisë së Gjykatës së Qytetit të Kutaisit, datë 10 dhe 11 korrik 2007, ku të gjithë këta persona kishin marrë pjesë në seancën në fjalë. Këta dëshmitarë kishin konfirmuar që seanca kishte qenë publike dhe që administrata e gjykatës nuk kishte penguar asnjë person të interesuar që të hynte në gjykatë.
84. Së fundi, për sa i përket pamundësisë së kërkuesit të parë për të bërë apel kundër vendimit të Gjykatës së Qytetit të Kutaisit të datës 10 shtator 2004, Qeveria diskutoi që duke e pranuar marrëveshjen për deklarim të fajësisë ai qartazi kishte hequr dorë, krahas disa të drejtave të tjera lidhur me gjyqin e drejtë, nga e drejta e tij për apel. Në tërësi, Qeveria argumentoi që procesi i marrëveshjes për deklarim të fajësisë i cili kishte rezultuar nga dënimi i kërkuesit të parë në një formë të shkurtuar gjykimi nuk kishte shkelur as nenin 6 § 1 të Konventës e as nenin 2 të Protokollit Nr. 7.
B. Parashtrimet e kërkuesit të parë
85. Kërkuesi i parë u shpreh se përfundimi i procedurave penale kundër tij përmes marrëveshjes për deklarim të fajësisë kishte përbërë shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës dhe nenit 2 të Protokollit Nr. 7 të Konventës, për sa i përket faktit që akuzat kundër tij ishin konstatuar pa një gjyq të drejtë dhe pa mundësinë e bërjes së një apeli. Ndërkohë që pranimi i marrëveshjes kishte nënkuptuar heqjen dorë nga disa të drejta procedurale, ajo heqje dorë nuk ishte shoqëruar nga mbrojtje efektive kundër abuzimit të procesit të duhur nga autoriteti prokurorial. Për të treguar mangësitë e modelit gjeorgjian të marrëveshjeve për deklarim të fajësisë në përgjithësi, kërkuesi i parë hodhi një shikim krahasues mbi mënyrën se si funksiononin mekanizma të ngjashme të marrëveshjeve të tilla në disa vende të tjera evropiane (kryesisht në Gjermani, në Mbretërinë e Bashkuar, Itali, Francë dhe Rusi). Mbi bazën e atij krahasimi, ai pretendoi që, ndryshe nga sistemet ligjore të vendeve të lartpërmendura, modeli gjeorgjian i marrëveshjeve për deklarim të fajësisë nuk i kishte lejuar atij të përfaqësohej nga një avokat që nga fillimi i hetimeve dhe nuk kishte lejuar që një gjyqtar të ndërmerrte një shqyrtim të mjaftueshëm të drejtësisë së rrethanave në të cilat ishte arritur marrëveshja për deklarim të fajësisë.
86. Duke iu referuar vërejtjeve përkatëse ndërkombëtare lidhur me modelin gjeorgjian të marrëveshjeve për deklarim të fajësisë, kërkuesi i parë parashtroi që një proces i tillë nuk mund të operonte drejtësisht në një sistem të drejtësisë penale me një përqindje dënimesh prej 99% (shih paragrafët 57-60 lart). Ai gjithashtu iu referua rezultateve të një studimi empirik, sipas të cilit edhe në ato sisteme të drejtësisë penale në të cilat përqindja e deklarimeve për pafajësi shkonte në 15-20%, të akuzuarit të cilët e konsideronin veten të pafajshëm shpesh zgjidhnin të deklaroheshin fajtorë. Me fjalë të tjera, nuk mund të thuhej që vendimi i tij për të pranuar marrëveshjen për deklarim të fajësisë kishte qenë vërtet i vullnetshëm. Rrjedhimisht, e vetmja mundësi reale që ai të shmangte një burgim të gjatë kishte qenë hyrja në marrëveshje për deklarim të fajësisë. Kërkuesi i parë theksoi në atë kontekst që, në kohën kur kishte pranuar marrëveshjen për deklarim të fajësisë, ai kishte qenë i paraburgosur në kushte posaçërisht të padurueshme dhe tepër stresuese, në të njëjtën qeli me një vrasës dhe me një person i cili e kishte rrëmbyer dhe keqtrajtuar atë në dhjetor të vitit 2002. Ai gjithashtu iu referua problemit sistematik të kushteve të këqija fizike të paraburgimit në të gjitha institucionet pas-dënimit në Gjeorgji në kohën materiale.
87. Kërkuesi i parë u ankua që modeli gjeorgjian i marrëveshjeve për deklarim të fajësisë i jepte të drejta dhe privilegje të pakufizuara autoritetit prokurorial, një mangësi legjislative që përjashtonte çdo mundësi marrëveshjeje mes palëve në kushte pak a shumë të barabarta. Në atë kontekst, kërkuesi i parë sërish iu referua konkluzioneve të studimit të zhvilluar nga Transparency International Gjeorgjia (shih paragrafët 58-60 lart). Ai po ashtu kritikoi faktin që vetëm prokurori dhe jo i pandehuri kishte të drejtë, sipas ligjeve vendase, të bënte kërkesë në gjykatë për marrëveshje për deklarim të fajësisë në kohën materiale dhe që ishte prokurori e jo gjyqtari ai që kishte pasur fuqinë të zgjidhte se çfarë lloj dënimi duhet të caktohej pas marrëveshjes për deklarim të fajësisë. Kërkuesi i parë gjithashtu kritikoi mungesën e një përkufizimi të qartë të nocionit të “bashkëpunimit me hetimet” sipas të drejtës vendase, një hendek legjislativ që shtonte rrezikun e abuzimeve procedurale.
88. Kërkuesi i parë pohoi që as prokurori publik e as gjyqtari nuk e kishin paralajmëruar atë për heqjen dorë nga të gjitha të drejtat e tij procedurale në rast marrëveshjeje për deklarim të fajësisë. Ai gjithashtu u ankua që pushteti i gjykatës në procesin e marrëveshjes për deklarim të fajësisë nuk kishte përfaqësuar një sistem të mjaftueshëm të ekuilibrimit të abuzimeve të mundshme nga prokurori. Gjykata vendase kishte mundur vetëm të shqyrtonte vetë marrëveshjen për deklarim të fajësisë, dhe nuk kishte mundur të hulumtonte rreth mënyrës se si ishin zhvilluar negociatat përkatëse dhe nëse ishin bërë abuzime gjatë atyre negociatave, meqenëse ato negociata nuk ishin regjistruar me shkrim apo në format audio. Kështu, edhe sikur Gjykata e Qytetit të Kutaisit ta kishte pyetur zyrtarisht kërkuesin e parë gjatë seancës së 10 shtatorit 2004 nëse ai i ishte nënshtruar ndonjë forme të presionit gjatë negociatave pararendëse, ajo pyetje nuk do të mund të kishte qenë një kontroll efektiv, meqenëse ishte e qartë që kërkuesi i parë, i cili në atë kohë kishte qenë në paraburgim nën kontrollin e degës ekzekutive të Shtetit, nuk do të kishte guxuar të shprehej në gjykatë në lidhje me një detyrim të tillë. Më tej, gjykata vendase nuk kishte tentuar të sigurohej që kërkuesi, një person i akuzuar, i kishte kuptuar plotësisht faktet të cilat kishin çuar drejt akuzave kundër tij.
89. Kërkuesi i parë u ankua që Gjykata e Qytetit të Kutaisit e kishte miratuar marrëveshjen për deklarim të fajësisë brenda një dite të vetme, ndërkohë që kishte qenë objektivisht e pamundur të studioheshin materialet në dosjen e lëndës brenda një periudhe kaq të shkurtër. Faji dhe dënimi i tij, në realitet, ishin përcaktuar nga prokurori, dhe gjykata vendase i kishte miratuar formalisht gjetjet e prokurorit pa zhvilluar hetimet e saj të veta gjyqësore. Më tej, duke shënuar që transferimi i aksioneve dhe pagesat kishin ndodhur më 6, 8 dhe 9 shtator 2004, pra para miratimit të marrëveshjes për deklarim të fajësisë nga Gjykata e Qytetit të Kutaisit më 10 shtator 2004, ai parashtroi që sikur ai të kishte refuzuar të pranonte marrëveshjen e propozuar për deklarim të fajësisë para Gjykatës së Qytetit të Kutaisit më 10 shtator 2004, kjo do të kishte çuar vetëm në vazhdimin e privimit të lirisë së tij, përveç humbjes së të gjitha aseteve të dorëzuara, pa marrë asgjë në këmbim. Në lidhje me këtë, kërkuesi i parë theksoi që ai nuk ishte deklaruar kurrë fajtor për veprat për të cilat ishte akuzuar. Së fundi, kërkuesi i parë iu përmbajt ankesës së tij për pamundësinë e ngritjes së apelit kundër vendimit të Gjykatës së Qytetit të 10 shtatorit 2004 ku ai dënohej mbi bazën e marrëveshjes për deklarim të fajësisë, duke pretenduar se legjislacioni penal procedural përkatës nuk i kishte ofruar atij rrugë ligjore përmes të cilave të kontestonte shtrëngimin e ushtruar ndaj tij gjatë negociatave për marrëveshjen e deklarimit të fajësisë.
C. Vlerësimi i Gjykatës
90. Fillimisht dhe në përgjigje të argumenteve empirike të kërkuesit të parë në lidhje me dobishmërinë e modelit të hershëm gjeorgjian të marrëveshjeve për deklarim të fajësisë, Gjykata përsërit që nuk mund të jetë detyra e saj që të shqyrtojë nëse korniza ligjore përkatëse vendase ishte, per se, në papajtueshmëri me standardet e Konventës. Në fakt, kjo çështje duhet të vlerësohet duke marrë në konsideratë rrethanat e veçanta të çështjes penale të kërkuesit të parë. Gjykata më tej vëren që mund të konsiderohet tipar i zakonshëm i sistemeve evropiane të drejtësisë penale që i akuzuari të fitojë lehtësim të akuzave ose t’i jepet reduktim i dënimit të tij ose të saj në këmbim të një deklarimi fajtor ose non contendere para gjyqit ose për ofrimin e një bashkëpunimi substancial me autoritetet hetimore (shih studimin krahasues ligjor, paragrafët 62-75 lart); shih gjithashtu, në lidhje me këtë, Slavcho Kostov kundër Bullgarisë, nr. 28674/03, § 17, 27 nëntor 2008, dhe Ruciński kundër Polonisë, nr. 33198/04, § 12, 20 shkurt 2007). Nuk mund të ketë asgjë të papërshtatshme në procesin e marrëveshjes për akuza ose dënim në vetvete (shih, mutatis mutandis, Babar Ahmad dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar (dec.), nr. 24027/07, nr. 11949/08 dhe nr. 36742/08, ECHR 6 korrik 2010). Në lidhje me këtë Gjykata i përmbahet idesë që marrëveshja për deklarim të fajësisë, përveç se ofron përfitime të rëndësishme për gjykimin e shpejtë të çështjeve penale dhe lehtësimin e ngarkesës së punës së gjykatave, prokurorëve dhe avokatëve, gjithashtu, nëse zbatohet drejt, mund të jetë një mjet i suksesshëm i luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe mund të kontribuojë në zvogëlimin e numrit të dënimeve të caktuara dhe, si rezultat, në numrin e të burgosurve.
91. Gjykata konsideron që aty ku efekti i marrëveshjes për deklarim të fajësisë është që akuza penale kundër të akuzuarit konstatohet përmes një forme të shkurtuar të shqyrtimit gjyqësor, kjo, në thelb, shpie drejt heqjes dorë nga disa të drejta procedurale. Kjo në vetvete nuk mund të jetë problem, meqenëse as teksti as fryma e nenit 6 nuk e ndalon një person nga heqja dorë prej këtyre mbrojtjeve me vullnetin e vet të lirë (shih Scoppola kundër Italisë (nr. 2) [GC], nr. 10249/03, § 135, 17 shtator 2009). Gjykata vëren këtu se në vitin 1987 Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës u kërkoi Shteteve anëtare të merrnin masa me qëllim të thjeshtimit të procedurave gjyqësore të rëndomta duke shkuar, për shembull, në gjyqe të shkurtuara (shih paragrafin 54 lart). Megjithatë, njëkohësisht është parim themelor që çdo heqje dorë nga të drejtat procedurale, nëse duhet të jetë efektive për qëllime të Konventës, duhet të përcaktohet në mënyrë të patjetërsueshme dhe duhet të mbështetet nga mbrojtje minimale proporcionale me rëndësinë e saj. Përveç kësaj, ajo nuk duhet të jetë në kundërshtim me interesa të rëndësishme publike (shih, mes autoriteteve të tjera, Scoppola (nr. 2), cituar lart, § 135-36; Poitrimol kundër Francës, 23 nëntor 1993, § 31, Seria A nr. 277-A; dhe Hermi kundër Italisë [GC], nr. 18114/02, § 73, ECHR 2006‑XII).
92. Kështu, Gjykata vëren se duke arritur marrëveshje me autoritetin e prokurorisë në lidhje me dënimin dhe duke deklaruar no contestas në lidhje me akuzat, kërkuesi i parë ka hequr dorë nga e drejta që çështja kundër tij të shqyrtohet mbi bazën e themeleve. Megjithatë, sipas analogjisë me parimet e lartpërmendura mbi vlefshmërinë e një heqjeje dorë të këtillë, Gjykata konsideron që vendimi i kërkuesit të parë për të pranuar marrëveshjen për deklarim të fajësisë duhet të ishte shoqëruar nga kushtet në vijim: (a) marrëveshja duhet të pranohej nga kërkuesi i parë me vetëdije të plotë rreth fakteve të çështjes dhe pasojave ligjore dhe në mënyrë krejtësisht të vullnetshme; dhe (b) përmbajtja e marrëveshjes për deklarim të fajësisë dhe drejtësia e mënyrës në të cilën ajo është arritur mes palëve duhet të kishte kaluar nëpër një shqyrtim gjyqësor të mjaftueshëm.
93. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari vëren që ishte vetë kërkuesi i parë ai që i kërkoi autoritetit të prokurorisë që të organizonte një marrëveshje për deklarim të fajësisë. Me fjalë të tjera, iniciativa doli prej atij personalisht dhe, siç tregon dosja e lëndës, nuk mund të thuhet se u imponua nga prokuroria; kërkuesi i parë qartazi shprehu vullnetin e tij për të kompensuar dëmin shkaktuar Shtetit (shih paragrafët 14, 18, 22 dhe 27 lart). Atij iu lejua qasje në materialet e lëndës penale që nga 1 gushti 2004 (shih paragrafin 21 lart). Gjykata gjithashtu vëren që kërkuesi i parë është përfaqësuar si duhej nga dy avokatë të kualifikuar që ai i ka zgjedhur vetë (krahaso Hermi kundër Italisë, cituar lart, § 79). Njëri prej tyre filloi të takohej me kërkuesin e parë që në fillim të procedurave penale, duke e përfaqësuar atë gjatë intervistës së parë hetimore më 17 mars 2004 (shih paragrafët 15 dhe 16). Dy avokatët siguruan që kërkuesi i parë të merrte këshillim gjatë tërë negociatave me palën e akuzës për marrëveshjen për deklarim të fajësisë, dhe njëri prej tyre gjithashtu e përfaqësoi kërkuesin e parë gjatë shqyrtimit gjyqësor të marrëveshjes. Me rëndësi është edhe fakti që gjyqtari i Gjykatës së Qytetit të Kutaisit, i cili u ftua të shqyrtonte ligjshmërinë e marrëveshjes për deklarim të fajësisë gjatë seancës së 10 shtatorit 2004, pyeti kërkuesin e parë dhe avokatin e tij nëse kërkuesi i ishte nënshtruar ndonjë lloj trysnie të paduhur gjatë negociatave me prokurorin. Gjykata vëren që kërkuesi i parë shprehimisht konfirmoi në disa raste, si para autoritetit të prokurorisë ashtu edhe para gjyqtarit, që ai e kishte kuptuar plotësisht përmbajtjen e marrëveshjes, që të drejtat e tij procedurale dhe pasojat ligjore i ishin shpjeguar, dhe që vendimi i tij për ta pranuar atë nuk ishte për shkak të ndonjë trysnie apo premtimi të rremë (shih paragrafët 27, 28 dhe 31 lart).
94. Gjykata gjithashtu shënon që u hartua edhe një procesverbal me shkrim i marrëveshjes së arritur mes prokurorit dhe kërkuesit të parë. Dokumenti më pas u nënshkrua nga prokurori dhe nga kërkuesi i parë dhe avokati i tij, dhe u dorëzua në Gjykatën e Qytetit të Kutaisit për shqyrtim. Gjykata e gjen këtë faktor të jetë i rëndësishëm, meqenëse ai bëri të mundur paraqitjen e kushteve të sakta të marrëveshjes, si dhe negociatat pararendëse, për shqyrtim gjyqësor në mënyrë të qartë dhe të pakontestueshme.
95. Si garanci e mëtejshme e përshtatshmërisë së shqyrtimit gjyqësor të drejtësisë së marrëveshjes, Gjykata i jep rëndësi faktit që, sipas të drejtës së zbatueshme vendase, marrëveshja mes kërkuesit të parë dhe prokurorit nuk ishte detyruese për Gjykatën e Qytetit të Kutaisit. Përkundrazi, Gjykata e Qytetit të Kutaisit kishte të drejtë ta refuzonte atë marrëveshje varësisht nga vlerësimi i saj rreth drejtësisë së kushteve të përmbajtura në të dhe procesit përmes të cilit ishte arritur ajo. Gjykata jo vetëm që kishte të drejtë të vlerësonte përshtatshmërinë e dënimit të rekomanduar nga prokurori në lidhje me veprat e akuzuara, por ajo kishte edhe pushtetin për ta lehtësuar atë (neni 679-4 §§ 1, 3, 4 dhe 6). Gjykata më tej është e vetëdijshme për faktin që Gjykata e Qytetit të Kutaisit ka hulumtuar, për qëllime të shqyrtimit gjyqësor efektiv të rolit të autoritetit prokurorial në negociimin e marrëveshjes për deklarim të fajësisë, nëse akuzat kundër kërkuesit të parë kanë qenë të bazuara dhe të mbështetura në prova prima facie (neni 679-4 § 5). Fakti që Gjykata e Qytetit shqyrtoi dhe miratoi marrëveshjen për deklarim të fajësisë gjatë një seance publike, në përputhje me kërkesat e përmbajtura në nenin 679-3 § 1 të KPP-së, kontribuoi më tej, sipas mendimit të Gjykatës, në cilësinë e tërësishme të shqyrtimit gjyqësor në fjalë.
96. Së fundi, për sa i përket ankesës së kërkuesit të parë sipas nenit 2 të Protokollit nr. 7, Gjykata konsideron që është normale për fushëveprimin e të drejtës së shqyrtimit të apelit për të qenë më i kufizuar për sa i përket një dënimi të bazuar në marrëveshjen për deklarim të fajësisë, që përfaqëson heqjen dorë nga e drejta e shqyrtimit të një çështjeje penale kundër të akuzuarit mbi bazën e themeleve, sesa një dënimi të bazuar në një gjykim të zakonshëm penal. Ajo përsërit në këtë pikë që Shtetet Kontraktuese gëzojnë një hapësirë të gjerë vlerësimi nga neni 2 i Protokollit nr. 7 (shih, mes të tjerash, Krombach kundër Francës, nr. 29731/96, § 96, ECHR 2001‑II). Gjykata është e mendimit që, duke pranuar marrëveshjen për deklarim të fajësisë, kërkuesi i parë, përveç humbjes së të drejtës së tij për të pasur një gjyq të zakonshëm, ai hoqi dorë nga e drejta e tij për shqyrtim të zakonshëm apelues. Ajo pasojë ligjore e veçantë e marrëveshjes për deklarim të fajësisë, e cila rridhte nga dispozita e qartë ligjore vendase (neni 679-7 § 2)i është shpjeguar ose duhet t’i ishte shpjeguar atij nga avokatët e tij. Një krahasim me gjetjet e saj të mëhershme në lidhje me pajtueshmërinë e marrëveshjes së kërkuesit të parë për deklarim të fajësisë me parimin e drejtësisë të ngërthyer në nenin 6 § 1 të Konventës (shih paragrafët 92-95 lart), Gjykata konsideron që heqja dorë nga e drejta për shqyrtim apeli nuk përfaqësonte një kufizim arbitrar që nuk përmbushte as kriterin analog të arsyeshmërisë të përmbajtur në nenin 2 të Protokollit nr. 7 (për parimin e përgjithshëm lidhur me korrelacionin mes kritereve të drejtësisë së këtyre dy dispozitave, shih Galstyan kundër Armenisë, nr. 26986/03, § 125, 15 nëntor 2007).
97. Duke pasur parasysh ato që u thanë më lart, Gjykata arrin në përfundimin që pranimi nga kërkuesi i parë i marrëveshjes për deklarim të fajësisë, çka nënkuptonte heqjen dorë nga e drejta e tij për shqyrtim të zakonshëm të çështjes së tij mbi themelet dhe nga e drejta e tij për shqyrtim të zakonshëm apeli, ishte pa dyshim një vendim i ndërgjegjshëm dhe i vullnetshëm. Duke gjykuar nga rrethanat e çështjes, ai vendim nuk mund të thuhet se është marrë si rezultat i ndonjë trysnie apo premtimi të rremë nga ana e palës së akuzës, por, përkundrazi, është shoqëruar me mbrojtje të mjaftueshme kundër abuzimeve të mundshme në proces. Nga ana tjetër, Gjykata nuk mund të konstatojë as nga materialet e lëndës në dispozicion që heqja dorë ishte në kundërshtim me ndonjë interes madhor publik.
98. Rrjedh që nuk ka pasur shkelje as të nenit 6 § 1 të Konventës, as të nenit 2 të Protokollit nr. 7.
...
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Vendos, me gjashtë vota pro dhe një kundër, që nuk ka pasur shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës dhe nenit 2 të Protokollit nr. 7 të Konventës;
...
E bërë në anglisht, dhe e shpallur me shkrim më 29 prill 2014, në pajtim me nenin 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Santiago QuesadaJosep Casadevall
KancelarKryetar
Në pajtim me nenin 45 § 2 të Konventës dhe nenin 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, mendimi i ndarë i Gjyqtarit Gyulumyan i bashkëngjitet si shtojcë këtij vendimi.
J.C.M.
S.Q.
Mendimet e pakicës nuk janë përkthyer, por ato gjenden në anglishtdhe/ose në frëngjisht në versionet zyrtare të gjykimit, dhe mund të lexohen në bazën e të dhënave të Gjykatës HUDOC
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, ta base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy