© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
Notë Informative mbi praktikën e gjykatës nr. 173
prill 2014
Natsvlishvili dhe Togonidze kundër Gjeorgjisë - 9043/05
Vendimi 29.4.2014 [Seksioni III]
Neni 6
Procedurat penale
Neni 6-1
Seanca dëgjimore e drejtë
Dënim pa shqyrtuar themelet e çështjes pas marrëveshjes për deklarim të fajësisë: nuk ka shkelje
Neni 2 i Protokollit Nr. 7
E drejta për apel në çështje penale
Mungesa e të drejtës për apel kundër dënimit pas marrëveshjes për deklarim të fajësisë: nuk ka shkelje
Faktet – Kërkuesi i parë, drejtori menaxhues i një kompanie publike në të cilën ai dhe bashkëshortja e tij (kërkuesja e dytë) gjithashtu kishin aksione, u akuzua për vepra të ndryshme të së drejtës së shoqërive. Mes palës mbrojtëse dhe palës së akuzës u arrit një marrëveshje sipas së cilës prokurori mori përsipër t’i kërkonte trupit gjykues që të dënonte kërkuesin e parë pa shqyrtuar themelet e çështjes dhe të kërkonte dënim të reduktuar në formën e gjobës. Trupi gjykues e miratoi marrëveshjen, e gjeti kërkuesin fajtor dhe e dënoi me gjobë. Vendimi nuk mund të apelohej.
Në kërkesën e tij pranë Gjykatës Evropiane, kërkuesi i parë u ankua që procedura e marrëveshjes për deklarimin e fajësisë ishte e padrejtë dhe kishte shkuar deri në abuzim të procesit (neni 6 § 1 i Konventës), që ai nuk kishte pasur mundësi të apelonte kundër vendimit që kishte miratuar marrëveshjen për deklarimin e fajësisë (neni 2 i Protokollit nr. 7) dhe që e drejta e tij për t’u presupozuar i pafajshëm ishte shkelur nga mbulimi i gjerë mediatik i arrestimit të tij dhe komenteve të bëra nga guvernatori rajonal në një intervistë televizive (neni 6 § 2 i Konventës). Të dy kërkuesit gjithashtu paraqitën ankesa sipas nenit 34 të Konventës dhe sipas nenit 1 të Protokollit nr. 1.
E drejta – Neni 6 § 1 i Konventës dhe neni 2 i Protokollit nr. 7: Gjykata shënoi duke u bazuar në materialet e të drejtës krahasuese para saj që ishte tipar i zakonshëm i sistemeve evropiane të së drejtës penale që i akuzuari të përfitonte lehtësim të akuzave ose reduktim të dënimit në këmbim të deklarimit të fajësisë ose nolo contendere para gjyqit ose bashkëpunim substancial me autoritetet hetimore. Nuk kishte asgjë të papërshtatshme në procesin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë në vetvete. Megjithatë, aty ku procesi kishte shkuar në një formë të shkurtuar të shqyrtimit gjyqësor e rrjedhimisht në heqjen dorë nga i akuzuari prej disa të drejtave procedurale, kjo heqje dorë duhet të ishte vendosur në mënyrë të patjetërsueshme dhe duhet të ishte shoqëruar nga disa mbrojtje minimale në përputhje me rëndësinë e saj.
Duke arritur marrëveshje me palën e akuzës në lidhje me dënimin dhe duke mos i kontestuar akuzat, kërkuesi i parë kishte hequr dorë nga e drejta e tij për shqyrtimin e çështjes kundër tij mbi bazën e themeleve. Rrjedhimisht, Gjykata ishte dashur të shqyrtonte nëse ai e kishte pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë në mënyrë vërtet të vullnetshme, plotësisht i vetëdijshëm për faktet dhe pasojat ligjore, dhe nëse kishte pasur shqyrtim gjyqësor të mjaftueshëm të përmbajtjes së marrëveshjes për deklarim të fajësisë dhe të drejtësisë së mënyrës në të cilën ajo ishte arritur.
Gjykata vërejti që iniciativa për marrëveshjen për deklarim të fajësisë kishte dalë nga kërkuesi i parë dhe nuk ishte imponuar nga pala e akuzës. Atij i ishte dhënë qasje në materialet e çështjes dhe ai ishte përfaqësuar si duhet nga avokatë të kualifikuar që i kishte zgjedhur ai vetë gjatë negociatave dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor të marrëveshjes. Gjyqtari që shqyrtoi ligjshmërinë e marrëveshjes për deklarim të fajësisë kishte pyetur nëse ai i ishte nënshtruar ndonjë lloj trysnie të paduhur dhe kërkuesi i parë kishte konfirmuar shprehimisht në disa raste, para autoriteteve të akuzës dhe gjyqtarit, që ai e kishte kuptuar plotësisht përmbajtjen e marrëveshjes, që të drejtat e tij procedurale dhe pasojat ligjore të marrëveshjes i ishin shpjeguar, dhe që ai nuk e kishte pranuar atë si rezultat i detyrimit apo i premtimeve të rreme.
Çka është me rëndësi, ishte hartuar një procesverbal me shkrim për marrëveshjen, i cili ishte nënshkruar nga prokurori, nga kërkuesi i parë dhe avokati i tij, dhe i ishte dorëzuar trupit gjykues për shqyrtim, duke mundësuar paraqitjen për shqyrtim gjyqësor të kushteve të sakta të marrëveshjes si dhe të negociatave paraprake.
Trupi gjykues kishte pushtetin për të shqyrtuar përshtatshmërinë e dënimit të rekomanduar nga prokurori dhe për ta reduktuar atë ose për ta refuzuar marrëveshjen në tërësi, varësisht nga vlerësimi i tij i drejtësisë së kushteve dhe procesit përmes të cilit ishte arritur ajo marrëveshje. Gjithashtu, trupi gjykues kishte kërkuar të dinte nëse akuzat kundër kërkuesit të parë ishin të bazuara dhe të mbështetura në prova prima facie. Përveç kësaj, ai kishte shqyrtuar dhe miratuar marrëveshjen për deklarim të fajësisë në seancë dëgjimore publike.
Për sa i përket ankesës sipas nenit 2 të Protokollit nr. 7, Gjykata e konsideroi normale që fushëveprimi i ushtrimit të së drejtës për shqyrtim në shkallë apeli të ishte më i kufizuar në rastin e një dënimi të bazuar mbi marrëveshje për deklarim të fajësisë. Duke pranuar marrëveshjen për deklarim të fajësisë, kërkuesi i parë kishte hequr dorë nga e drejta e tij për shqyrtim të zakonshëm në shkallë apeli, një pasojë ligjore që do t’i ishte shpjeguar ose duhet t’i ishte shpjeguar atij prej avokatëve të tij. Përmes analogjisë me gjetjet e saj sipas nenit 6 § 1, Gjykata konsideroi që heqja dorë nga e drejta për shqyrtim të zakonshëm në shkallë apeli nuk kishte përbërë kufizim arbitrar të kriterit të arsyeshmërisë të përmbajtur në nenin 2 të Protokollit nr. 7.
Përfundim: nuk ka shkelje (gjashtë vota pro, një kundër).
Neni 6 § 2: Gjykata u tregua e kujdesshme për sa i përket rëndësisë së zgjedhjes së fjalëve nga zyrtarët publikë në deklaratat e tyre para se një person të ishte gjykuar dhe të ishte gjetur fajtor për një vepër penale. Megjithatë, guvernatori rajonal nuk i ishte referuar në mënyrë specifike kërkuesit të parë e as procedurave penale kundër tij. Përkundrazi, ai kishte dhënë një deklaratë të përgjithshme në lidhje me politikën e Shtetit për luftën kundër zyrtarëve të korruptuar publikë në vend, pa kërkuar në asnjë formë që ta bënte të identifikueshëm kërkuesin e parë, qoftë drejtpërdrejt qoftë tërthorazi, si objekti i komenteve të tij.
Për sa i përket filmimit të arrestimit të kërkuesit të parë nga gazetarët e një stacioni televiziv privat, kjo nuk mund të konsiderohej si diçka që shkonte deri në fushatë të fortë mediatike me synim pengimin e drejtësisë së gjyqit të tij. As nuk kishte tregues të veçantë që interesi i mediave ndaj kësaj çështjeje ishte nxitur nga prokurori, guvernatori apo ndonjë autoritet tjetër shtetëror. Në tërësi, mbulimi nga media i çështjes së kërkuesit të parë nuk kishte shkuar përtej asaj që mund të konsiderohej thjesht si informim i publikut rreth arrestimit të drejtorit menaxhues të një prej fabrikave më të mëdha në vend.
Përfundim: nuk ka shkelje (njëzëri).
Neni 1 Protokolli nr. 1: Konfiskimi i pasurive të kërkuesit dhe pagesa të tjera që kishin ndodhur pas marrëveshjes për pranimin e fajësisë kishin qenë të lidhura për së brendshmi dhe kishin rezultuar nga përcaktimi i përgjegjësisë penale të kërkuesit të parë. Prandaj ligjshmëria dhe përshtatshmëria e atyre sanksioneve penale të natyrës materiale nuk mund të shkëputeshin nga çështja e drejtësisë së vetë marrëveshjes për deklarim të fajësisë. Duke pasur parasysh gjetjet e saj sipas nenit 6 § 1 të Konventës dhe nenit 2 të Protokollit nr. 7, Gjykata arriti, për të njëjtat arsye, në përfundimin që nuk kishte pasur shkelje të nenit 1 të Protokollit nr. 1.
Përfundim: nuk ka shkelje (njëzëri).
Neni 34: Kërkuesit pretenduan që autoritetet gjeorgjiane kishin ushtruar trysni ndaj tyre për ta tërhequr kërkesën e tyre. Megjithatë, duke pasur parasysh përmbajtjen e emailave të shkëmbyer mes vajzës së kërkuesit me përfaqësuesin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe duke shënuar që një kanal jo zyrtar komunikimi mes autoritetit të prokurorisë dhe një pale të tretë private nuk ishte assesi mjeti i duhur për të zgjidhur një çështje, Gjykata gjeti që ai ndërveprim nuk mund të thuhej se kishte qenë, në vetvete, në pajtueshmëri me detyrimet e Shtetit sipas nenit 34. Kontakti i përfaqësuesit me vajzën e kërkuesit nuk ishte llogaritur që t’i bënte kërkuesit që ta tërhiqnin ose ta ndryshonin kërkesën e tyre apo të ndërhynte tek ushtrimi efektiv i të drejtës së tyre për kërkesë individuale, ose që të kishte faktikisht një efekt të tillë.
Përfundim: nuk ka shkelje (njëzëri).
© Këshilli i Europës/Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut
Kjo përmbledhje nuk është detyruese për Gjykatën.
Klikoni këtu për Shënimet informative rreth jurisprudencës
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy