Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut
SEKSIONI I PARË
ÇËSHTJA NAZARENKO k. RUSISË
(Kërkesë nr. 39438/13)
VENDIM
(themeli)
STRASBURG
16 korrik 2015
Përfundimtar
16/10/2015
Ky vendim është përfundimtar, sipas nenit 44 § 2 të Konventës. Ai mund t’i nënshtrohet korrigjimeve.
Në çështjen e Nazarenko k. Rusisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (seksioni i parë), me trup gjykues të përbërë prej:
Isabelle Berro, President,
Elisabeth Steiner,
Khanlar Hajiyev,
Mirjana Lazarova Trajkovska,
Julia Laffranque,
Ksenija Turković,
Dmitry Dedov,gjyqtarë,
dhe Søren Nielsen, Kancelar seksioni,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 23 qershor 2015,
Jep këtë vendim, i cili u mor në datën e lartë përmendur:
PROCEDURA
1. Çështja ka filluar në bazë të kërkesës (nr. 39438/13)kundër Federatës Ruse drejtuar në Gjykatë, sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa") nga një shtetas rus, z.Anatoliy Sergeyevich Nazarenko (“kërkuesi”), më 15 maj 2013.
2. Qeveria ruse ("Qeveria") u përfaqësua nga z. G. Matyushkin, përfaqësuesi i Federatës Ruse në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
3. Kërkuesi pretendoi, në veçanti, se heqja e atësisë e kishte privuar atë nga e drejta për të takuar vajzën e tij apo të ngrinte padi civile në mbrojtje të të drejtave të saj dhe se nuk ishte informuar për datën e një seance apeli.
4. Më 15 tetor 2013 kërkesa iu komunikua Qeverisë dhe pjesa tjetër e kërkesës u deklarua e pa pranueshme. Gjithashtu u vendos zbatimi i nenit 41 të Rregullores së Gjykatës dhe të trajtohet me prioritet kërkesa.
FAKTET
Article I. I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
5. Kërkuesi ka lindur më 1965 dhe jeton nëUlan-Ude.
6. Në 2007 bashkëshortja e N. lindi vajzën, A.
7. Në 2010 kërkuesi dhe N. zgjidhën martesën.
8. Më 18 janar 2011, autoritetet për kujdesin dhe kujdestarinë e fëmijëve të qarkut Oktyabrsky (në vazhdim "Autoriteti për kujdesin ndaj fëmijëve") përcaktuan vendbanimin e A.-së si vijon: në javën e dytë dhe të katërt (javët çift) do të qëndronte me kërkuesin dhe në javën e parë dhe të tretë (javët tek) me nënën e saj N. Në janar, qershor, korrik dhe gusht A. do të jetonte me kërkuesin një javë në muaj, sipas zgjedhjes së tij.
Section 1.01 A. Ngjarjet që paraprinë heqjen e atësisë
9. Më 22 mars 2011, kërkuesi zbuloi disa mavijosje në trupin e A.. Duke dyshuar se ajo ishte rrahur dhe abuzuar seksualisht nga partneri i ri i N., nuk pranoi ta kthente A. tek N.
10. Gjatë vitit në vijim A. jetoi me kërkuesin dhe gjyshen e saj nga babai. Në disa raste kërkuesi lejoi që N. të vizitonte A., por në praninë e tij.
11. Më 25 mars 2011, kërkuesi u ankua në polici dhe në Komitetin e Hetimeve të qarkut Oktyabrsky se vajza e tij A. ishte rrahur dhe abuzuar seksualisht nga partneri i N.. Komiteti i Hetimeve filloi një hetim paraprak.
12. Kërkuesi dhe N. iu drejtuan Gjykatës së qarkut Oktyabrsky të Ulan-Ude për nxjerrjen e një urdhri për vendbanimin e A.
13. Më 25 prill 2011, A. u mor në pyetje nga hetuesit, i asistuar nga një psikolog, në kuadrin e hetimit paraprak. A. deklaroi se donte të jetonte me kërkuesin, sepse ai ishte i mirë, ndërsa nëna e saj dhe partneri i ri i nënës së saj e kishin trajtuar keq. Ajo u mor në pyetje përsëri nga hetuesi, i asistuar nga një psikolog, më 27 qershor dhe 3 gusht të vitit 2011, dhe deklaratat e saj konfirmonin ato të bëra më parë.
14. Më 19 maj 2011, gjykata e qarkut Oktyabrsky e nxori urdhrin për vendbanimin e A., në favor të N. dhe hodhi poshtë kërkesën e ngjashme të kërkuesit. Gjykata konstatoi se të dy prindërit, deri në atë moment, kishin kontribuar në mënyrë të barabartë në edukimin e A. Të dy kishin të ardhura të mjaftueshme financiare dhe kushte jetese të kënaqshme. Megjithatë, duke marrë në konsideratëgjininë dhe moshën e A., ishte epreferueshme që të rritej nga nëna e saj. Një fëmijë nën moshën dymbëdhjetëvjeçare mund të ndahet nga e ëma vetëm në rrethana të jashtëzakonshme. Në rastin konkret, nuk ekzistonin rrethana të tilla. N. ishte e punësuar dhe siguronte të ardhura të mjaftueshme. Nuk kishte asnjë dëshmi të neglizhencës apo keqtrajtimit nga ana e saj. Nxirjet e A. nuk ishin prova të mjaftueshme për të provuar keqtrajtimin, pasi ato mund të ishin shkaktuar edhe nga ndonjë rënie. Një hetim penal për pretendimet për keqtrajtim ishte ende pezull. Psikologët dhe ekspertëte caktuar nga gjykata kishin konstatuar se A. Ishte emocionalisht më afër babait të saj dhe gjyshes nga babai sesanënës e saj. Pretendimet për keqtrajtim nuk mund të merreshin parasysh në mungesë të fakteve të vërtetuara të keqtrajtimit nga ana e nënës. Prandaj ishte në interesin më të mirë të A. të jetonte me nënën e saj.
15. Më 20 maj 2011, autoriteti për kujdesin ndaj fëmijëve vuri në dukje se A. dëshironte të jetonte me babanë e saj. Nga një inspektim i banesës së kërkuesit rezultoi se ai i kishte të gjitha kushtet për zhvillimin normal të A.. Prandaj, autoriteti për kujdesin ndaj fëmijëve vlerësoi se A. duhet të banonte me kërkuesin.
16. Më 22 qershor 2011, Gjykata Supreme e Republikës Buryatia la në fuqi vendimin e 19 majit 2011 të apelit. Ajo vërejti se, në kundërshtim me procedurën e parashikuar me ligj, Gjykata e qarkut kishte dështuar të merrte në konsideratë konstatimet dhe opinionin e autoritetit të kujdesit ndaj fëmijëve. Prandaj, Gjykata e qarkut ka kryer një shkelje të rëndë të procedurës. Megjithatë, duke pasur parasysh se opinioni i autoritetit të kujdesit ndaj fëmijëve ishte këshillimor dhe jo i detyrueshëm për gjykatën, mos marrja e tij në konsideratë nuk mund të përbënte bazë për një rishqyrtim të vendimit, i cili ishte i saktë në substancë.
17. Më 30 qershor 2011 Komiteti i Hetimet të qarkut Oktyabrsky filloi procedurën penale në lidhje me pretendimet për keqtrajtim dhe abuzim seksual të A.
18. Duke qenë se kërkuesi vazhdoi të mbante A., N. iu drejtuar gjykatës së qarkut në Oktyabrsky për një urdhër gjyqësor që e detyronte kërkuesin të kthente A. tek ajo.
19. Më 29 nëntor 2011, gjykata e qarkut Oktyabrsky pranoi kërkesën e N. Ajo konstatoi se kërkuesi kishte refuzuar respektimin e vendimit të 19 majit 2011, të lënë në fuqi në apel. Ajo urdhëroi që, në përputhje me këtë vendim, kërkuesi të kthente A. tek N. Më 30 janar 2012 Gjykata Supreme e Republikës Buryatia la në fuqi këtë vendim të apelit.
20. Në një datë të paspecifikuar kërkuesi për herë të dytë i kërkoi gjykatës së qarkut në Oktyabrsky urdhër banimi në lidhje me A., duke kërkuar në të njëjtën kohë kufizimin e të drejtave prindërore të N. mbi A..
21. Më 23 janar 2012, gjykata e qarkut Oktyabrsky hodhi poshtë kërkesën dhe konfirmoi urdhrin e saj të mëparshme se A. duhet të jetonte me nënën e saj, duke cituar të njëjtat arsye si në vendimin e 19 majit 2011. Gjykata nuk konstatoi asnjë arsye për të kufizuar të drejtat prindërore të N. ndaj A. Më 2 prill 2012, Gjykata Supreme e Republikës Buryatia la në fuqi këtë e rrëmbeu A. nga kërkuesi. Kështu, kërkuesi nuk mund të shihte më vajzën e tij.
22. Më 20 mars 2012 A. u mor në pyetje përsëri nga hetuesi, i asistuar nga një psikolog. Ajo tha se i pëlqente të jetonte me nënën e saj dhe ajo po e trajtonte mirë.
23. Më 23 prill 2012 A. u ekzaminua nga një panel psikologësh të caktuar nga hetuesi në kuadër të procedurës penale. Ata konstatuan se A. nuk vuan nga ndonjë vonesë mendore ose çrregullim. Megjithatë, për shkak të moshës së saj, nivelit të zhvillimit dhe ndjeshmërisë së saj ndaj ndikimit të jashtëm, ajo nuk ishte në gjendje për të dhënë dëshmi të besueshme në lidhje me marrëdhëniet e saj me nënën, babanë apo partnerine ri të nënës së saj.
24. Më 30 prill 2013 Komiteti Hetimet e qarkut Oktyabrsky ndërpreu procedurën penale, pasi nuk kishte prova keqtrajtimi apo abuzimi seksual. Të nxirat mund të jenë shkaktuar nga ndonjë rënie. Sipas ekspertëve, deklaratat e A.-së se partneri e nënës së saj e kishte trajtuar atë keq nuk ishin të besueshme. Dëshmitarët nuk kishin dhënë asnjë informacion që mund të konfirmonte pretendimet e kërkuesit se A ishte abuzuar.
Section 1.02 B. Heqja e atësisë dhe pasojat e saj
25. Kërkuesi për herë të tretë iu drejtua gjykatës së qarkut Oktyabrsky për ti kërkuar nxjerrjen e njëurdhri që e bija te jetonte me të. Gjithashtu kërkoi heqjen e së drejtës prindërore të N në lidhje me A..
26. Ndërkohë që procesi i mësipërm vazhdonte, N. depozitoi një kërkesë në gjykatën e qarkut Oktyabrsky, ku kundërshtonte atësinë e kërkuesit në lidhje me A. dhe kërkonte heqjen e emrit të tij nga certifikata e lindjes së A. dhe mbiemri dhe patronimi i A. të ndryshoheshin.
27. Më 23 korrik 2012 testi i ADN vërtetoi se kërkuesi nuk ishte babai biologjik i A.-së.
28. Më 18 shtator 2012, gjykata e qarkut Oktyabrsky pranoi pretendimet e N.-së. Ajo konstatoi se kërkuesi nuk ishte babai biologjik i A.-së dhe se kështu ai nuk kishte më të drejta atësie mbi të. Gjithashtu, gjykata urdhëroi që emri i kërkuesit të hiqej nga certifikata e lindjes së A.-së si dhe mbiemri dhe patronim i saj të zëvendësoheshin me një mbiemër dhe patronim që nuk ishin të lidhura me kërkuesin. Më 19 nëntor 2012, Gjykata Supreme e Republikës Buryatia la në fuqi vendimin e apelit.
29. Më 16 janar 2013, gjykata e qarkut Oktyabrsky pushoi procesin në lidhje me kërkesën e kërkuesit për nxjerrjen e një urdhër banimi të A.-së me kërkuesin dhe heqjen e të drejtave prindërore të N.-së mbi A. Gjykata konstatoi se kërkuesi nuk ishte babai biologjik i A. dhe për këtë arsye nuk legjitimohej sipas së drejtës së brendshme për të ngritur padi civile në lidhje me autoritetin prindëror mbi A. apo vendbanimin e A.-së. Kërkuesi nuk u paraqitnë seancën për shkak se ishte i sëmurë.
30. Më 27 shkurt 2013 Gjykata Supreme e Republikës Buryatia la në fuqi vendimin në apel. Sipas kërkuesit, ai nuk ishte informuar për datën e seancës dhe as për vendimin e apelit deri më 12 mars 2013.
31. Më 31 maj 2013, një gjyqtar i Gjykatës Supreme të Republikës Buryatia refuzoi ta dërgonte rekursin e kërkuesit tek Presidiumi i asaj gjykate për shqyrtim, pasi nuk konstatoi asnjë shkelje të rëndësishme të së drejtës materiale apo procedurale të cilat mund të kishin ndikuar në rezultatin e procesit. Ai vuri në dukje, në mënyrë të veçantë, se në dosjen gjyqësore të çështjes kishte një letër që i ishte dërguar kërkuesit më 7 shkurt 2013 për ta informuar për datën e seancës së apelit. Data e zhvillimi të seancës në apel ishte publikuar edhe në faqen zyrtare të gjykatës. Kështu, kërkuesi ka qenë i informuar në mënyrë të rregullt për datën e seancës së apelit.
Article II. II. E DREJTA E BRENDSHME PËRKATËSE
32. Kodi i Familjes parashikon që prindërit të veprojnë në emër të fëmijës dhe të mbrojnë të drejtat dhe interesat e fëmijës në çdo marrëdhënie me personat fizik apo juridik. Ata veprojnë exofficio si përfaqësues ligjor të fëmijës në procedurat gjyqësore (neni 64 § 1).
33. Në rastin e zgjidhjes së martesës, prindërit në marrëveshje ndërmjet tyre vendosin në lidhje me vendbanimin e fëmijës. Nëse kjo marrëveshje nuk arrihet, atëherë është gjykata e cila me një urdhër vendos lidhur me këtë, duke pasur parasysh interesin më të mirë të fëmijës dhe mendimin e tij/saj për këtë çështje. Në veçanti, gjykata duhet të marrë parasysh lidhjen e fëmijës me secilin prej prindërve dhe vëllezërit e motrat, marrëdhëniet midis fëmijës dhe secilit prej prindërve, moshën e fëmijës, cilësitë morale dhe të tjera të prindërve dhe mundësitë e secilit prej tyre në krijimin e kushteve për edukimin dhe zhvillimin e fëmijës (të tilla si puna që bëjnë, orarin e punës, gjendjen financiare dhe familjare, etj) (neni 65 § 3).
34. Prindi, me të cilin nuk do të jetojë fëmija, ka të drejtë për të mbajtur kontakt me fëmijën dhe për të marrë pjesë në rritjen dhe edukimin e tij. Prindi me të cilin banon fëmija nuk mund të pengojë kontaktet e fëmijës me prindin tjetër, përveç nëse një kontakt i tillë dëmton shëndetin fizik ose psikologjik të fëmijës apo zhvillimin moral të tij (neni 66 § 1).
35. Një fëmijë ka të drejtë për të mbajtur kontakte me prindërit, gjyshërit, vëllezërit, motrat dhe të afërmit e tjerë. Zgjidhja ose anulimi i martesës ndërmjet prindërve nuk ka asnjë ndikim mbi të drejtat e fëmijës. Veçanërisht, në rastin kur prindërit jetojnë në vendbanime tëveçanta, fëmija ka të drejtë për të mbajtur kontakte me të dy prej tyre (neni 55 § 1).
36. Gjyshërit, vëllezërit, motrat dhe të afërmit e tjerë kanë të drejtë për të mbajtur kontakt me fëmijën. Nëse prindërit ose njëri prej tyre, ndalon të afërmit të kenë kontakte me fëmijën, autoriteti për kujdesin ndaj fëmijëve mund të urdhërojë lejimin e kontaktitndërmjet fëmijës dhe të afërmit në fjalë. Nëse prindërit nuk bien dakord me vendimine autoritetit kujdesit për fëmijët për sa më sipëratamund t’i drejtohen gjykatës. Gjykata duhet të marrë një vendim duke pasur parasysh interesin e fëmijës dhe mendimin e tij. Nëse prindërit nuk respektojnë urdhrin e kontaktit të lëshuar nga gjykata, atambajnë përgjegjësi në përputhje me ligjin (neni 67).
37. Gjykata mund të privojë një prind nga ushtrimi i autoritetit prindëror me kërkesën e prindit tjetër, kujdestarit, prokurori ose me kërkesën e shërbimeve sociale nëse, ndër të tjera, prindi dhunon fizikisht apo psikologjikisht fëmijën ose abuzon seksualisht me të (neneve 69 dhe 70 § 1).
38. Gjykata, duke vlerësuar interesin me të mirë të fëmijës, mund të kufizojë ushtrimin e autoritetit prindëror dhe të heqë fëmijën nga kujdesi i prindërve, me kërkesën e një të afërmi, shërbimeve sociale, institucioneve arsimore apo prokurorit. Autoriteti prindëror mund të kufizohet në rastet kur prindi paraqet rrezik për fëmijën (neni 73).
39. Amësisë apo atësisë së fëmijës mund të kundërshtohet para gjykatës nga personi i cili është regjistruar në certifikatën e lindjes së fëmijës si nëna ose babai i fëmijës, nga nëna apo babai biologjik i fëmijës, nga vetë fëmija kur arrin moshën madhore, nga kujdestari i fëmijës, ose, nëse prindi i fëmijës është ligjërisht i paaftë, nga kujdestari i prindit (neni 52 § 1).
Article III. III. MATERIALE PËRKATËSE NDËRKOMBËTARE DHE KRAHASUESE
Section 3.01 A. Dokumentet e Kombeve të Bashkuara
40. Neni 3 i Konventës për të Drejtat e Fëmijës, e miratuar në vitin 1989 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe e ratifikuar nga Rusia në vitin 1990, parashikon si më poshtë:
“1. Në të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me fëmijën, të marra qoftë nga institucione publike ose private të përkrahjes shoqërore, nga gjykatat, autoritetet administrative apo organet legjislative, interesi më i lartë i fëmijës duhet të jetë konsiderata mbizotëruese.
2. Shtetet Palë angazhohen që t’i sigurojnë fëmijës mbrojtjen dhe kujdesin e nevojshëm për mirëqenien e tij, duke pasur parasysh të drejtat dhe detyrat e prindërve të tij, të kujdestarëve të tij ligjorë ose të personave të tjerë ligjërisht përgjegjës për të dhe, për këtë qëllim, ata marrin të gjitha masat legjislative dhe administrative përkatëse...”
41. Në nenin 9 për aq sa është relevante parashikon si më poshtë:
“1. Shtetet Palë garantojnë që fëmija të mos ndahet nga prindërit kundër dëshirës së tyre, përveç rastit kur autoritetet kompetente, në bazë të rishikimit gjyqësor, vendosin që, në përputhje me ligjin dhe procedurat përkatëse kjo ndarje është e domosdoshme, në interesin më të lartë të fëmijës.Ky vendim mund të jetë i nevojshëm në raste të veçanta, si ai kur prindërit keqtrajtojnë ose nuk kujdesen për fëmijën, ose kur ata jetojnë të ndarë dhe kur duhet vendosur se ku duhet të banojë fëmija...
3. Shtetet Palë respektojnë të drejtën e fëmijës së ndarë nga njëri ose nga të dy prindërit, që të mbajë rregullisht marrëdhënie vetjake dhe takime të drejtpërdrejta me të dy prindërit e tij, me përjashtim të rasteve kur kjo nuk është në interesin më të lartë të fëmijës...”
42. Në Komentin e Përgjithshëm Nr. 14 (2013) mbi të drejtën e fëmijës që interesi i tij ose i saj më i lartë të jetë konsiderata mbizotëruese (neni 3, parag. 1), miratuar më 29 maj 2013 (CRC / C / GC / 14), Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Fëmijës deklaroi, në veçanti, si më poshtë:
“13. Shtetet Palë duhet të respektojnë dhe zbatojnë të drejtën e fëmijës që interesi i tyre më i lartë të jetë konsiderata mbizotëruese si dhe duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme dhe konkrete me qëllim respektimin e plotë të kësaj të drejte.
14. Neni 3, paragrafi 1, përcakton një kornizë me tri lloje të ndryshme të detyrimeve për Shtetet Palë:
(a) Detyrimi për të siguruar që interesi më i lartë i fëmijës të integrohet në mënyrë të përshtatshme dhe zbatohet vazhdimisht në çdo veprim të institucioneve publike, sidomos në të gjitha masat e zbatimit, procedurat administrative dhe gjyqësore të cilat ndikojnë direkt ose indirekt tek fëmijët;
(b) Detyrimi për të siguruar që të gjitha vendimet gjyqësore dhe administrative, si dhe politikat e legjislacioni lidhur me fëmijët të tregojnë se interesi më i lartë i fëmijës ka qenë konsiderata parësore. Kjo përfshin sqarimin se si interesi më i lartë i fëmijës ishte shqyrtuar dhe vlerësuar, dhe çfarë peshe i është dhënë atij në vendimin ...
15. Për të siguruar respektimin e këtij parimi, Shtetet palë duhet të ndërmarrin një sërë masash zbatuese, në përputhje me nenet 4, 42 dhe 44, paragrafi 6, të Konventës, dhe të sigurojnë që interesi më i lartë i fëmijës është një element parësor në të gjitha veprimet, përfshirë:
(a) Shqyrtimin dhe, kur është e nevojshme, ndryshimin e legjislacionit të brendshëm dhe burimeve të tjera të së drejtës në mënyrë që të bëjnë pjesë të tyre nenin 3, paragrafi 1, dhe të sigurojnë që detyrimi për të marrë në konsideratë interesin më të lartë të fëmijës ishte pasqyruar dhe zbatuar në të gjitha ligjet dhe rregullat kombëtare, legjislacionin rajonal apo territorial, rregullat për funksionimin e institucioneve publike dhe private që ofronin shërbime ose kishin ndikim tek fëmijët, dhe procedurën gjyqësore dhe administrative në çdo nivel, si një e drejtë materiale dhe si një rregull i procedurës...
(c) Krijimin e mekanizmave dhe procedurave për ankesa, mjete ligjore për rivendosje të së drejtës ose dëmshpërblim në mënyrë që të realizohet plotësisht e drejta e fëmijës që interesi i tij më i lartë të integrohet në mënyrë të përshtatshme dhe zbatohet vazhdimishtnë të gjitha masat e zbatimit, procedurat administrative dhe gjyqësore të cilat ndikojnë direkt ose indirekt tek fëmijët...
29. Në çështjet civile që kanë të bëjnë me atësinë, abuzimet apo mos-kujdesje ndaj fëmijëve, bashkime familjare, strehim etj, fëmija mund të mbrojë interesat e tij vet ose nëpërmjet një përfaqësuesi. Fëmijët mund të ndikohen nga zhvillimi i gjyqeve, për shembull në lidhje me birësimin ose zgjidhjen e martesës, nga vendime lidhur me kujdestarinë, vendbanimin, kontaktet apo çështje të tjera të cilat kanë një ndikim të rëndësishëm në jetën dhe zhvillimin e fëmijës, si dhe nga procedurat që kanë të bëjnë me abuzimin apo mos-kujdesjen ndaj fëmijëve. Gjykatat duhet të sigurojnë që interesi më i lartë i fëmijës të jetë konsiderata mbizotëruese në të gjitha situatat dhe vendimet e tilla, qoftë të një natyre procedurale ose materiale, dhe duhet ta tregojnë që vërtet ata kanë vepruar në këtë mënyrë...
36. Interesi më i lartë i fëmijës duhet të jetë konsiderata mbizotëruese në miratimin e të gjitha masave të zbatimit. Fjalët "duhet të" vendosë një detyrim të fortë ligjor për shtetet dhe do të thotë se nuk është nëdiskrecionin e shteteve të gjykojnë nëse interesi më i lartë e fëmijës duhet apo jo konsideruar si mbizotërues në çdo veprim të ndërmarrë ...
60. Parandalimi i zgjidhjes së martesës dhe ruajtja e unitetit familjar janë komponentë të rëndësishëm të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve dhe bazohen në të drejtën e parashikuar në nenin 9, paragrafi 1, i cili kërkon " që fëmija të mos ndahet nga prindërit kundër dëshirës së tyre, përveç rastit kur [...] kjo ndarje është e domosdoshme, në interesin më të lartë të fëmijës ". Për më tepër, fëmija i cili është i ndarë nga njëri ose të dy prindërit ka të drejtë " të mbajë rregullisht marrëdhënie vetjake dhe takime të drejtpërdrejta me të dy prindërit e tij, me përjashtim të rasteve kur kjo nuk është në interesin më të lartë të fëmijës " (neni 9, parag. 3) . Ky detyrim shtrihet edhe ndaj çdo personi që ka të drejta kujdestarie, apo persona të tjerë përgjegjës për fëmijën, prindërit kujdestar dhe personat me të cilët fëmija ka një marrëdhënie të fortë personale ...”
Section 3.02 B. E drejta materiale krahasuese
43. Neni 371-4 i Kodit Civil Francez parashikon se nëse interesat e fëmijës e kërkojnë, gjykatësi i çështjeve familjare përcakton modalitetet e marrëdhënies midis fëmijës dhe çdo personi tjetër, qoftë i afërm apo jo, që ka jetuar në mënyrë të qëndrueshme me fëmijën dhe një nga prindërit e tij, ka marrë pjesë në edukimin e fëmijës, kujdesin e përditshëm apo strehimin dhe ka zhvilluar lidhjet emocionale të qëndrueshme me të.
44. Neni 1685 i Kodit Civil Gjerman parashikon që çdo person me të cilin fëmija ka lidhje të ngushta mund të kërkojë mbajtjen e marrëdhënieve vetjake dhe takimeve me fëmijën nëse ata kanë ose kanë pasur përgjegjësi për fëmijën (marrëdhënie sociale dhe familjare) dhe në qoftë se kjo i shërben interesit më të lartë të fëmijës. Në përgjithësi merret për e mirëqenë se personi që ka jetuar për një kohë të gjatë me fëmijën ka pasur përgjegjësi lidhur me të.
45. Neni 10 i Ligjit për Fëmijët i 1989 i Mbretërisë së Bashkuar parashikon se e drejta për takime mund të kërkohet, në mënyrë të veçantë, nga cilado palë në një martesë (pavarësisht nëse vazhdojnë apo jo të jenë të martuar), përfëmijëni cili është fëmijë i familjes, nga prindi kujdestar,nga i afërmi me të cilin fëmija ka jetuar për një periudhë prej të paktën një viti menjëherë para paraqitjes së kërkesës, ose nga çdo person me të cilin fëmija ka jetuar për një periudhë prej të paktën tre vjetësh.
E DREJTA
Article IV. I. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIT 8 TË KONVENTËS
46. Kërkuesi pretendoi se heqja e së drejtës së atësisë e kishte privuar atë nga e drejta për të mbajtur kontakte me vajzën e tij dhe për të mbrojtur interesat e saj në gjykatë. Ai u mbështet në nenin 8 të Konventës, i cili parashikon si në vijim:
“1. Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij.
2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.”
Section 4.01 A. Pranueshmëria
47. Gjykata vëren se kjo kërkesë nuk është haptazi e pabazuar brenda kuptimit të nenit 35 § 3 (a) të Konventës dhe as nuk është e pa pranueshme për asnjë arsye tjetër. Rrjedhimisht kërkesa është e pranueshme.
Section 4.02 B. Themeli
(a) 1. Parashtrimet e palëve
48. Qeveria parashtroi se testi i ADN-së kishte treguar se kërkuesi nuk ishte babai biologjik i A.. Ky test ishte kryer në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj dhe gjykatat ruse e kishin pranuar atë si provë të pranueshme dhe të besueshme duke ofruar bazë të mjaftueshme për vendimin për heqjen e atësisë së kërkuesit kundrejt A. Nuk kishte asnjë arsye për të vënë në dyshim saktësinë e testit të ADN-së.
49. Qeveria argumentoi se heqja e atësisë ishte në përputhje me Konventën, duke qenë se ishte provuar që babai "i ligjshëm" i fëmijës nuk ishte babai biologjik. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, respektimi i jetës familjare kërkon që realiteti biologjik dhe social të mbizotërojë mbi supozimin ligjor të atësisë (shih Kroon dhe të Tjerë k. Holandës, 27 tetor 1994, § 40, Seria A nr. 297-C; dhe Shofman k. Rusisë, nr. 74826/01, § 44, 24 nëntor 2005). Për më tepër, vendimi për heqjen e atësisë së kërkuesit ndaj A. kishte pasur një bazë në të drejtën e brendshme, përkatësisht nenin 52 të Kodit të Familjes (shih paragrafin 40 më lart), i cili nuk parashikonte ndonjë afat kohor për të ngritur padi civile për kundërshtimin e atësisë së një fëmije.
50. Më tej, Qeveria parashtroi se sipas së drejtës ruse vetëm të afërmit në rreth të ngushtë - prindërit, gjyshërit, stërgjyshërit, vëllezërit e motrat, xhaxhallarët, hallat dhe kushërinjtë - kishin të drejtë për të mbajtur kontakte me fëmijën (shih paragrafin 37 më lart). Duke pasur parasysh se atësia e kërkuesit ndaj A. ishte ndërprerë, ai nuk kishte asnjë drejtën sipas ligjit të brendshëm për të mbajtur kontakte me të. Qeveria vuri në dukje në këtë drejtim se kërkuesi nuk kishte kërkuar asnjëherë nga gjykata nxjerrjen e një urdhri për të drejtën e takimit me A.. Megjithatë, duke pasur parasysh konfliktin që ekzistonte ndërmjet kërkuesit dhe nënëssë A.-së, nuk do të ishte në interesin më të lartë të fëmijës dhënia e së drejtës të takimeve kërkuesit (ata iu referuan Kvedaraviciusk. Gjermanisë (vendim[1]), nr . 46165/99, 19 qershor 2003).
51. Gjithashtu, Qeveria parashtroi se kërkuesi nuk legjitimohej sipas së drejtës së brendshme për të kërkuar në gjykatë heqjen e së drejtës prindërore të N. mbi A.-në. Legjislacioni rus parashikonte që vetëm prindi, kujdestari, prokurori ose shërbimet sociale mund të ngrinin padi civile për një qëllim të tillë(shih paragrafin 38 më lart). Vendimi i gjykatës së brendshme për heqjen e atësisë kishte qenë i ligjshëm.
52. Së fundi, Qeveria parashtroi se në të gjitha vendimet e tyre, gjykatat e brendshme ishin udhëhequr gjithmonë nga interesi më i lartë i A.. Në veçanti, ato kishin vlerësuar se ishte në interesin më të lartë të A. që të rritej me nënën e saj.
53. Kërkuesi mbështeti pretendimet e tij.
(b) 2. Vlerësimi i Gjykatës
54. Gjykata së pari duhet të shqyrtojë nëse ekziston një lidhje që përbën jetë private ose familjare ndërmjet kërkuesit dhe A.-së brenda kuptimit të nenit 8 të Konventës.
55. Gjykata rithekson se nocioni i "jetës familjare" sipas nenit 8 të Konventës nuk është i kufizuar vetëm në marrëdhëniet martesore dhe mund të përfshijnë lidhje të tjera de facto "familjare" (shih Anayo k. Gjermanisë, nr. 20578/07, § 55, 21 dhjetor 2010, me referenca të mëtejshme). Ekzistenca ose jo-ekzistenca e "jetës familjare" për qëllime të nenit 8 është në thelb një çështje fakti që varet nga ekzistenca në praktikë e lidhjeve të ngushta personale (shih K. dhe T. k. Finlandës [GC], nr. 25702/94, § 150, ECHR 2001-VII). Edhe pse, si rregull, bashkëjetesa mund të jetë një kërkesë që një marrëdhënie të konsiderohet e tillë, përjashtimisht faktorë të tjerë mund të shërbejnë gjithashtu për të demonstruar se një marrëdhënie ka qëndrueshmëri të mjaftueshme për të krijuar de facto "lidhjet familjare" (shih Kroon dhe të tjerë k. Holandës, cituar më sipër , § 30).
56. Edhe në jurisprudencën e mëparshme, Gjykata ka vendosur se marrëdhëniet ndërmjet familjes kujdestare dhe fëmijës nën kujdestari të cilët kishin jetuar së bashku për shumë muaj përbënin jetë familjare brenda kuptimit të nenit 8 § 1, pavarësisht mungesës së një lidhje biologjike ndërmjet tyre. Gjykata mori parasysh faktin se në këtë rast zhvillohej një lidhje e ngushtë emocionale ndërmjet familjes kujdestare dhe fëmijës e ngjashme me atë ndërmjet prindërve dhe fëmijëve biologjikë dhe se prindërit kujdestar silleshin në çdo aspekt si prindërit e fëmijës (shih Moretti dhe Benedetti k. Italisë, nr. 16318/07, §§ 49-50, 27 prill 2010 dhe Kopf dhe Liberda k. Austrisë, nr. 1598-1506, § 37, 17 janar 2012).
57. Duke iu kthyer çështjes në fjalë, Gjykata vëren se A. ka lindur gjatë martesës së kërkuesit me N. dhe ishte regjistruar si vajza e tij. Duke mos pasur dyshime për atësinë ndaj A., kërkuesi e rriti dhe u kujdes për të për më shumë se pesë vjet. Siç dëshmohet nga autoriteti për kujdesin ndaj fëmijëve dhe ekspertët psikologë, ka pasur një lidhje të ngushtë emocionale ndërmjet kërkuesit dhe A. (shih paragrafët 14 dhe 15 më lart). Duke pasur parasysh se kërkuesi dhe A. kishin besuar se ishin atë dhe vajzë për shumë vite deri sa u zbulua përfundimisht se kërkuesi nuk ishte babai biologjik i A.-së, dhe duke marrë parasysh lidhjet e ngushta personale midis tyre, Gjykata vlerëson se marrëdhënia e tyre përbën jetë familjare brenda kuptimit të nenit 8 § 1.
58. Më tej, Gjykata do të shqyrtojë nëse nuk është respektuar jeta familjare e kërkuesit.
59. Gjykata vëren se, kur është vendosur ekzistenca e një lidhje familjare, Shteti duhet, në parim, të veprojë në një mënyrë të llogaritur për të mundësuar që kjo lidhje të vazhdojë të ekzistojë. Gëzimi i përbashkët i prindit dhe fëmijës për shoqërinë e njëri-tjetrit përbën një element themelor të jetës familjare dhe masat e brendshme që e pengojnë një gëzimi të tillë përbën ndërhyrje në të drejtën e mbrojtur nga neni 8 i Konventës (shih, midis të tjerash, Monory k. Rumanisë dhe Hungarisë, nr. 71099/01, § 70, 5 prill 2005, dhe K. dhe T. k. Finlandës, cituar më lart, § 150).
60. Për më tepër, edhe pse objekti kryesor i nenit 8 është të mbrojë individin nga veprimet arbitrare të autoritetet publike, ai përmban edhe detyrime pozitive që janë pjesë e pandarë e detyrimit për "respektim" efektiv të jetës familjare. Këto detyrime mund të përfshijnë miratimin e masave për të siguruar respektimin e jetës familjare, edhe në sferën e marrëdhënieve midis individëve, duke përfshirë edhe ofrimin e një kuadri rregullator për mekanizmat e gjykimin dhe zbatimit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe zbatimit, kur është e përshtatshme, të masave të veçanta (shih Glaser k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 32346/96, § 63, 19 shtator 2000).
61. Në lidhje me detyrimin e shtetit për të zbatuar masa pozitive, Gjykata është shprehur në mënyrë të përsëritur se neni 8 përfshin të drejtën e prindit për marrjen e masave për ribashkimin me fëmijën dhe detyrimin e autoriteteve kombëtare për të marrë masa të tilla. Kjo vlen edhe për rastet kur lindin mosmarrëveshje ndërmjet prindërve dhe/ose anëtarëve të tjerë të familjes për sa i përket të drejtës së takimit dhe kujdestarisë së fëmijës (shih Manic k. Lituanisë, nr. 46600/11, § 101, 13 janar 2015, me referenca të mëtejshme).
62. Qoftë në kontekstin e detyrimeve negative dhe atyre pozitive, duhet arritur një balancë e drejtë ndërmjet interesave konkurruese të individit dhe të komunitetit në tërësi; në të dy kontekstet Shteti gëzon një hapësirë të caktuar vlerësimi (shih Glaser, cituar më lart, § 63). Neni 8 kërkon që autoritetet kombëtare të vendosin një balancë të drejtë midis interesave të fëmijës dhe atyre të prindërve dhe që, në procesin e balancimit, rëndësi parësore t’i jepet interesit më të lartë të fëmijës, i cili, në varësi të natyrës dhe rëndësisë, mund të vendoset mbi interesin e prindërve (shih Sahin k. Gjermanisë [GC], nr. 30943/96, § 66, ECHR 2003-VIII, dhe Plaza k. Polonisë, nr. 18830/07, § 71, 25 janar 2011).
63. Në rastin konkret atësia e kërkuesit ndaj A. u hoq dhe emri i tij u fshi nga certifikata e lindjes së A., kur u konstatua se ai nuk ishte babai i saj biologjik. Si rezultat kërkuesi humbi të gjitha të drejtat prindërore ndaj A.-së, përfshirë të drejtën e takimit dhe marrëdhënieve personale. Në të vërtetë, Kodi i Familjes parashikon se vetëm prindërit, gjyshërit, vëllezërit, motrat dhe të afërmit e tjerë kanë të drejtë për të mbajtur kontakte me fëmijën (shih paragrafët 35 deri 37 më sipër). Siç është konfirmuar nga Qeveria, kërkuesi nuk ka të drejtë sipas ligjit të brendshëm për të mbajtur kontakte me A., sepse ai nuk konsiderohej më prindi i saj apo i afërm. Në rrethana të tilla, Gjykata çmon se bazuar në të drejtën e brendshme, një kërkesë në gjykatë për nxjerrjen e njëurdhri për të drejtën e takimeve më fëmijën është i destinuar të dështojë.
64. Gjykata vëren me shqetësim mungesën e fleksibilitetit të dispozitave ligjore që rregullojnë të drejtën e takimit. Ato përcaktojnë një listë shteruese të personave të cilët kanë të drejtë për të mbajtur kontakte me një fëmijë, pa parashikuar asnjë përjashtim, duke mos marrë kështu në konsideratë larminë e situatave familjare dhe të interesit më të lartë të fëmijës. Kështu një person i cili nuk bën pjesë në grupin e personave që e drejta ua njeh të drejtën e takimeve, si kërkuesi, por që është kujdesur për një periudhë të gjatë për fëmijën dhe ka krijuar një lidhje të ngushtë personale me të nuk përfitojnë nga e drejta e kontaktit në asnjë rrethanë dhe pavarësisht interesit më të lartë të fëmijës. Qeveria nuk ka dhënë asnjë arsye se pse ishte "e nevojshme në një shoqëri demokratike" parashikimi i një liste shteruese të personave që kanë të drejtë për të mbajtur kontakte me një fëmijë dhe të mos parashikoheshin përjashtime në rrethana të caktuara duke marrë në konsideratë interesin më të lartë të fëmijës.
65. Gjykata nuk është e bindur nëse interesi më i lartë i fëmijës në sferën e të drejtës së takimit mund të përcaktohet me një supozim të përgjithshëm ligjor. Duke pasur parasysh larminë e madhe të situatave familjare, Gjykata çmon se një balancim i drejtë i të drejtave të të gjithë personave të përfshirë kërkon një shqyrtim të rrethanave të veçanta të çështjes (shih, mutatismutandis, Schneider k. Gjermanisë, nr. 17080 / 07, § 100, 15 shtator 2011). Prandaj, neni 8 i Konventës mund të interpretohet se vendos mbi Shtetet anëtare detyrimin për të shqyrtuar rast pas rasti nëse është në interesin më të lartë të fëmijës të mbajë kontakte me personin me të cilin lidhet biologjikisht apo jo, i cili është kujdesur për të për një periudhë të gjatë kohore. Duke i mohuar kërkuesit të drejtën e takimit me A., pa marrë në shqyrtim nëse një kontakt i tillë do të ishte në interesin më të lartë të A., Rusia ka dështuar të përmbushë këtë detyrim.
66. Gjykata vërejti se për shkak të zbatimit të së drejtës së brendshme kërkuesi u përjashtua tërësisht dhe automatikisht nga jeta e A. pasi iu hoq atësia. Megjithatë, ajo vlerëson se personi i cili është kujdesur për një fëmijë për një kohë të gjatë si të ishte fëmija i tij nuk duhet të përjashtohet tërësisht nga jeta e fëmijës, edhe pasi është zbuluar se nuk është babai biologjik i fëmijës, përveç nëse ka arsye të rëndësishme që lidhen me interesin më të lartë të fëmijës. Në rastin konkret, nuk ekzistonin arsye të tilla. Në asnjë moment nuk është supozuar se kontakti i A.-së me kërkuesin dëmtonte zhvillimin e saj. Krejt ndryshe, autoriteti i kujdesit për fëmijët dhe ekspertët psikologë kishin deklaruar se ekzistonte një lidhje e fortë e ndërsjellë ndërmjet kërkuesit dhe A. dhe se kërkuesi ishte kujdesur më së miri për fëmijën (shih paragrafët 14 dhe 15 më lart).
67. Duke pasur parasysh sa më sipër, Gjykata arrin në përfundimin se autoritetet kanë dështuar në detyrimin e tyre për të siguruar një mundësi që lidhja familjare ndërmjet kërkuesit dhe A. të vazhdonte. Përjashtimi i plotë dhe i menjëhershëm i kërkuesit nga jeta e A. pas heqjes së atësisë së tij, për shkak të mos fleksibilitetit të dispozitave ligjore të brendshme - në veçanti mohimi i të drejtave të kontaktit, duke mos marrë në konsideratë interesin më të lartë të A. – përbënte mos respektimin të detyrimit nga ana e Shtetit për të respektuar jetën familjare të kërkuesit.
Rrjedhimisht ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës.
Article V. II. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIT 6 § 1 DHE 13 TË KONVENTËS
68. Kërkuesit pretendoi se pushimi i procesit gjyqësore në lidhje me kërkesën e tij për të marrë kujdestarinë e vajzës së tij dhe heqjen e të drejtës së ushtrimit të autoriteti prindëror të N. kundrejt A.-së. Gjithashtu, ai pretendoi se nuk ishte njoftuar për zhvillimin e seancës së apelit të 27 shkurtit 2013. Ai u mbështet në nenet 6 § 1 dhe 13 të Konventës, të cilat parashikojnë si vijon:
Neni 6 § 1
“Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet ....nga një gjykatë .... e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile...”
Neni 13
“Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.”
69. Qeveria parashtroi se kërkuesi nuk kishte kundërshtuar në Gjykatën Supreme të Federatës Ruse vendimin e 16 janarit 2013 të Gjykatëssë Rrethit Oktyabrsky dhe as ato të mëvonshëm të apelit dhe kasacionit të 27 shkurtit dhe 31 majit 2013. Gjithashtu ai nuk kishte kërkuar rishikim në Presidiumin e Gjykatës së Lartë. Rrjedhimisht, kërkuesi nuk i kishte shteruar mjetet e brendshme ligjore.
70. Më tej, Qeveria parashtroi se kërkuesi nuk legjitimohej sipas së drejtës së brendshme për të kërkuar nxjerrjen e një urdhri gjyqësor për heqjen e së drejtës së ushtrimit të autoritetit prindëror të N. për A. (shih paragrafin 38 më lart) apo për marrjen e kujdestarisë së A.-së. Vendimi i gjykatave të brendshme për të pushuar procesin gjyqësor ishte në pajtim me të drejtën e brendshme. Për më tepër, kërkesat e mëparshme të kërkuesit drejtuar gjykatave për të lejuar vajzën e tij A. për të jetuar me të, ishin shqyrtuar në themel. Gjithashtu, kërkuesi ishte informuar rregullisht për seancën e 27 shkurtit 2013.
71. Kërkuesi mbështeti pretendimet e tij.
72. Gjykata vlerëson se kundërshtimi e Qeverisë në lidhje me mos-shterimit të mjeteve të brendshme ligjore është i lidhur ngushtë me thelbin e pretendimeve të kërkuesit sipas nenit 6 § 1 dhe 13 të Konventës dhe rrjedhimisht duhet të shqyrtohet në të njëjtën kohë me themelin e çështjes. Gjykata vlerëson se kërkesa duhet të deklarohet e pranueshme dhe, në dritën e përfundimit të tij të mësipërm sipas nenit 8, nuk është e nevojshme të shqyrtohen veçmas pretendimet e kërkuesit sipas neneve 6 § 1 dhe 13 të Konventës
Article VI. III. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
73. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
74. Kërkuesi nuk ka parashtruar pretendime për shpërblim të drejtë. Prandaj, Gjykata vëren se nuk ka kërkesë për akordimin e ndonjë shumë për shpërblim të drejtë.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA NJËZËRI,
1. Bashkon me themelin e çështjes kundërshtimin e Qeverisë lidhur me mos shterimin e mjeteve të brendshme ligjore;
2. Deklaron kërkesën të pranueshme;
3. Vendos se ka pasur shkelje të Nenit 8 të Konventës;
4. Vendos se nuk ka nevojë për të shqyrtuar pretendimet sipas nenit 6 § 1 dhe 13 të Konventës, dhe si pasojë as kundërshtimin e lart përmendur paraprak të Qeverisë.
Përgatitur në gjuhën angleze dhe njoftuar me shkrim më 16 korrik 2015 sipas nenit 77 § § 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Søren NielsenIsabelle Berro
KancelarKryetare
[1]Mbi pranueshmërinë
Full & Egal Universal Law Academy