© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA O’HALLORAN DHE FRANCIS
kundër MBRETËRISË SË BASHKUAR
(Kërkesat nr. 15809/02 dhe nr. 25624/02)
VENDIM
STRASBURG
29 qershor 2007
Në çështjen e O’Halloran dhe Francis kundër Mbretërisë së Bashkuar,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, me Dhomën e Madhe të përbërë nga:
Jean-Paul Costa, Kryetar,
Luzius Wildhaber,
Christos Rozakis,
Nicolas Bratza,
Boštjan M. Zupančič,
Rıza Türmen,
Volodymyr Butkevych,
Josep Casadevall,
Matti Pellonpää,
Snejana Botoucharova,
Stanislav Pavlovschi,
Lech Garlicki,
Javier Borrego Borrego,
Alvina Gyulumyan,
Ljiljana Mijović,
Egbert Myjer,
Ján Šikuta, gjyqtarë,
dhe Vincent Berger, Jurist,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 27 shtator 2006 dhe 23 maj 2007,
Merr vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në datën e fundit të përmendur:
PROCEDURA
1. Çështja filloi me anë të dy kërkesave (nr. 15809/02 dhe 25624/02) kundër Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore të depozituara në Gjykatë sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (“Konventa”) nga dy shtetas britanikë, Z. Gerard O’Halloran dhe Z. Idriz Richard Francis (“kërkuesit”), më 3 prill 2002 dhe 15 nëntor 2001 respektivisht.
2. Kërkuesit, njërit prej të cilëve i ishte lejuar ndihmë ligjore, përfaqësoheshin nga Z. J. Welch nga organizata Liberty në Londër. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar (“Qeveria”) përfaqësohej nga Agjenti i saj Z. D. Walton nga Zyra për Çështje të Jashme dhe të Commonwealthit.
3. Z. Halloran pretendoi se ishte dënuar vetëm ose kryesisht mbi bazën e deklaratës që ai ishte detyruar të jepte nën kërcënimin e një dënimi të ngjashëm me dënimin për vetë veprën. Z. Francis u ankua që detyrimi për të dhënë prova të veprës që dyshohej të kishte kryer kishte shkelur të drejtën e tij për të mos inkriminuar veten e tij. Të dy kërkuesit u mbështetën në nenin 6 §§ 1 dhe 2 të Konventës.
4. Çështja e kërkuesve iu caktua Seksionit të Katërt të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Më 26 tetor 2004 kërkesat u bashkuan dhe më 25 tetor 2005 ato u deklaruan të pranueshme nga një Dhomë e atij Seksioni e përbërë nga Josep Casadevall, Nicolas Bratza, Matti Pellonpää, Stanislav Pavlovschi, Lech Garlicki, Ljiljana Mijovič, Ján Šikuta, gjyqtarë, dhe Michael O’Boyle, Sekretar i Seksionit. Më 11 prill 2006 Dhoma ia kaloi juridiksionin Dhomës së Madhe, dhe asnjëra nga palët nuk e kundërshtoi këtë transferim (neni 30 i Konventës dhe neni 72 i Rregullores).
5. Përbërja e Dhomës së Madhe u vendos në përputhje me dispozitat e nenit 27 §§ 2 dhe 3 të Konventës dhe nenin 24 të Rregullores. Më 19 janar 2007 mandati i Luzius Wildhaber si Kryetar i Gjykatës përfundoi. Jean-Paul Costa u emërua në detyrë dhe mori përsipër kryesimin e Dhomës së Madhe në këtë çështje (neni 9 § 2). Luzius Wildhaber dhe Matti Pellonpää vazhduan të qëndronin në përbërjen e trupit gjykues pas përfundimit të mandatit të tyre, në përputhje me nenin 23 § 7 të Konventës dhe nenin 24 § 4 të Rregullores.
6. Kërkuesit dhe Qeveria depozituan vërejtjet përkatëse në lidhje me themelet e çështjes.
7. Në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg u mbajt një seancë dëgjimore më 27 shtator 2006 (neni 59 § 3 i Rregullores).
Para Gjykatës u paraqitën:
(a) për Qeverinë
Z.D.Walton, Përfaqësues,
Z.D. Perry, Avokat,
Znj.L. Clarke,
Z.M. Magee,
Z.J. Moore, Këshilltarë;
(b) për kërkuesit
Z.B. Emmerson QC,Avokat,
Z.J. Welch,Avokat,
Z.D. Friedman, Këshilltar,
Z.G. O’Halloran,
Z. I. Francis,Kërkues.
Gjykata dëgjoi deklaratat e Z. Emmerson dhe Z. Perry dhe përgjigjet e tyre ndaj pyetjeve të bëra nga gjyqtarët.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
8. Kërkuesit janë të lindur në vitet 1933 dhe 1939 dhe jetojnë në Londër dhe në Petersfield, respektivisht.
A. Z. O’Halloran (kërkesa nr. 15809/02)
9. Më 7 prill 2000, në ora 4:55 të mëngjesit, një automjet pronar i regjistruar i të cilit ishte kërkuesi, me targa T61 TBX, u kap nga një kamerë shpejtësie teksa shkonte me 68 milje në orë (mph) në autostradën M11 ku kufiri i përkohshëm i shpejtësisë ishte 40 mph.
10. Më 17 prill 2000, njësia policore për rastet e zëna në kamera të Xhandarmërisë së Essex i shkroi kërkuesit:
“Ka prova fotografike që shoferi i automjetit T61 TBX nuk i është përmbajtur kufirit të shpejtësisë... Qëllimi është që të fillohen procedura kundër shoferit për veprën e mospërmbajtjes kufirit të shpejtësisë... Ka dalë emri juaj si drejtues i automjetit në kohën e veprës së pretenduar dhe ju keni detyrimin ligjor për të vepruar në përputhje me dispozitat e lajmërimit të përmbajtura në faqen 2. Duhet t’ju paralajmëroj që nëse nuk veproni në pajtim me këtë kërkesë brenda 28 ditëve pas pranimit të njoftimit do të kryeni shkelje ligji dhe do të përballeni me dënim me gjobë të ngjashëm me dënimin për vetë veprën e akuzuar – gjobë në shumën 1.000 paund dhe 3-6 pikë dënimi.”
11. Nota e Lajmërimit për Qëllimin e Ndjekjes Penale e informonte kërkuesin që synohej të hapeshin procedura gjyqësore kundër drejtuesit të automjetit. Atij i kërkohej që të jepte emrin dhe adresën e plotë të drejtuesit të automjetit në momentin përkatës ose të jepte çdo informacion tjetër që kishte në dispozicion i cili do të çonte drejt identifikimit të drejtuesit të mjetit. Sërish, ai u informua që mosdhënia e informacionit përbënte vepër penale sipas seksionit 172 të Ligjit për Trafikun Rrugor të vitit 1988.
12. Kërkuesi iu përgjigj letrës duke konfirmuar që ai kishte qenë drejtuesi i automjetit në kohën përkatëse.
13. Më 27 mars 2001, kërkuesi u ftua të shkonte në Gjykatën e Magjistrave të Essexit Verior ku ai u gjykua për ngasje mbi kufirin e shpejtësisë së lejuar. Para gjyqit, kërkuesi kërkoi që të përjashtohej rrëfimi i bërë në përgjigje të Lajmërimit për Qëllim të Ndjekjes Penale, duke u mbështetur në seksionet 76 dhe 78 të Ligjit Për Provat Policore dhe Penale të vitit 1984 të marrë në lidhje me nenin 6 të Konventës. Kërkesa e tij u refuzua për shkak të vendimit të Këshillit të Brendshëm (Privy Council) në çështjen Brown kundër Stott [2001] 2 WLR 817. Pas kësaj pala e akuzës u mbështet tek fotografia e automjetit që shpejtonte dhe tek pranimi i ardhur si rezultat i kërkesës sipas seksionit 172. Kërkuesi u dënua dhe u gjobit me 100 paund, u urdhërua të paguante kostot në shumën 150 paund dhe patentës së tij iu shënuan gjashtë pikë dënimi.
14. Më 11 prill 2001 kërkuesi u kërkoi magjistrave që të jepnin një deklaratë në lidhje me mendimin e Gjykatës së Lartë lidhur me faktin:
“Nëse në rrethanat e kësaj çështjeje, pranimi që i pandehuri ka qenë vërtet shoferi duhet të ishte përjashtuar sipas seksioneve 76 dhe 78 të Ligjit për Provat Policore dhe Penale të vitit 1984 duke marrë parasysh Ligjin për të Drejtat e Njeriut dhe çështjet e kohëve të fundit të vendosura nga Gjykata Evropiane meqenëse ai ishte detyruar të inkriminonte veten e tij?”
15. Më 23 prill 2001 nëpunësi i magjistrave e informoi kërkuesin që gjyqtarët kishin refuzuar të lëshonin deklaratë sepse çështja tashmë ishte vendosur në mënyrë definitive nga Këshilli i Brendshëm në çështjen Brown kundër Stott (cituar lart) dhe nga Gjykata e Lartë në çështjen Drejtori i Porkurorisë Publike kundër Wilson ([2001] EWHC Admin 198).
16. Më 19 tetor 2001 kërkesa e kërkuesit për shqyrtimin juridik të vendimit të gjyqtarëve u refuzua.
B. Z. Francis (kërkesa nr. 25624/02)
17. Një automjet i cili ishte i regjistruar në emër të kërkuesit u kap nga kamera e shpejtësisë më 12 qershor 2001 duke shkuar me 47 milje në orë në një vend ku kufiri i shpejtësisë ishte 30 milje në orë.
18. Më 19 qershor 2001 Policia e Surreyt i dërgoi kërkuesit një Lajmërim për Qëllim Ndjekjeje Penale ku thuhej si vijon:
“Në pajtim me seksionin 1, Ligji për Shkelësit e Trafikut Rrugor të vitit 1988, ju lajmëroj me anë të kësaj letre që po shqyrtohet hapja e procedurave kundër drejtuesit të automjetit Alvis me targa EYX 622 ...
Ky pretendim mbështetet nga provat e fotografuara/regjistruara në video. Ju jeni i regjistruar si pronari/mbajtësi/drejtuesi apo përdoruesi i automjetit të lartpërmendur në kohën e veprës së pretenduar, dhe kërkohet që të jepni emrin dhe adresën e plotë të drejtuesit në kohën dhe vendndodhjen e specifikuar. Sipas seksionit 172 të Ligjit për Trafikun Rrugor, ju kërkohet që të ofroni informacionin në fjalë brenda 28 ditësh pas pranimit të kësaj letre. Mosdhënia e këtyre informacioneve mund t’ju bëjë të përballeni me ndjekjen penale. Dënimi për gjetjen fajtor për mosdhënien e informacionit është i ngjashëm me dënimin e dhënë për kryerjen e vetë veprës, d.m.th. gjobë dhe pikë dënimi.”
19. Më 17 korrik 2001 kërkuesi i shkroi Policisë së Surreyt duke iu referuar të drejtës së tij për të qëndruar në heshtje dhe privilegjit kundër vet-inkriminimit.
20. Më 18 korrik 2001 Policia e Surreyt e informoi kërkuesin që ankesa në çështjen Brown kundër Stott, cituar lart, shprehej që seksioni 172 nuk i shkelte të drejtat në fjalë.
21. Kërkuesi refuzoi t’i jepte informacionet.
22. Më 28 gusht 2001 kërkuesi u ftua para Gjykatës së Magjistrave për mosveprim në pajtim me seksionin 172(3) të Ligjit për Trafikun Rrugor të vitit 1988. Ai arriti ta shtynte seancën.
23. Më 9 nëntor 2001 Gjykata e Magjistrave ra dakord për një shtyrje të mëtejshme, me sa duket duke iu referuar faktit që kërkuesi kishte paraqitur kërkesë në Strasburg. Kërkuesi i shkroi Gjykatës më 15 nëntor 2001, duke u mbështetur në nenin 6 §§ 1 dhe 2 të Konventës.
24. Më 8 shkurt 2002 Gjykata e Magjistrave anulloi shtyrjen dhe caktoi gjyqin për datën 15 prill 2002, datë në të cilën kërkuesi u dënua dhe iu caktua 750 paund gjobë, 250 paund për shpenzime dhe tri pikë dënimi. Ai shprehet që gjoba ishte shumë më e rëndë sesa ajo që do të ishte caktuar sikur ai të ishte deklaruar fajtor për veprën e tejkalimit të shpejtësisë.
II. LIGJI DHE PRAKTIKA PËRKATËSE VENDASE
A. Legjislacioni mbi trafikun rrugor
25. Seksioni 172 i Ligjit për Trafikun Rrugor të vitit 1988 (“Ligji i vitit 1988”) ka të bëjë me detyrën për dhënien e informacionit në lidhje me drejtuesin e një automjeti në rrethana të caktuara. Nënseksioni (1) i referohet veprave në trafik në të cilat zbatohet seksioni. Ato përfshijnë parkimin në shtegun e biçikletave (sipas seksionit 21 të Ligjit të vitit 1988) dhe shkaktimin e vdekjes nga drejtimi i pakujdesshëm (seksioni 1), veprat sipas disa dispozitave të tjera, përfshirë tejkalimin e shpejtësisë, dhe vrasjen e dikujt nga drejtuesi i një automjeti.
Nënseksioni 2 parashikon:
“Kur drejtuesi i një automjeti dyshohet të jetë fajtor për një vepër në të cilën zbatohet ky seksion –
(a) personi që mban automjetin do të japë informacione lidhur me identitetin e drejtuesit ashtu siç i kërkohet nga ose në emër të një zyrtari policie, dhe
(b) çdo person tjetër, nëse i kërkohet siç përmendet më lart, do të japë çdo lloj informacioni që ka në dispozicion dhe i cili mund të çojë drejt identifikimit të drejtuesit.”
Nënseksioni 3 parashikon:
“Në përputhje me dispozitat e mëposhtme, personi që nuk vepron në pajtim me një kërkesë nga nënseksioni (2) lart konsiderohet fajor për shkelje ligji.”
Nënseksioni 4 parashikon:
“Një person nuk konsiderohet fajtor për një shkelje nga paragrafi (a) i nënseksionit (2) lart nëse ai vërteton se nuk e ka ditur dhe nuk ka mundur të kishte siguruar me zell të arsyeshëm informacionin se kush ka qenë drejtuesi i automjetit.”
26. Një person fajtor për një vepër sipas nënseksionit 3 mund të skualifikohet ose mund t’i jepen tri pikë dënimi në patentën e shoferit të tij; gjithashtu, ai mund të gjobitet deri në nivelin tre të shkallës standarde, që është 1.000 paund.
27. Seksioni 12(1) i Ligjit për Shkelësit e Trafikut Rrugor të vitit 1988 parashikon që në gjyqin përmbledhës për një shkelje relevante, përfshirë veprat e tejkalimit të shpejtësisë, një deklaratë me shkrim nga i akuzuari sipas seksionit 172(2) të Ligjit të vitit 1988 që ai ka qenë drejtuesi i automjetit në atë rast mund të pranohet si provë e atij fakti.
B. Akti i Provave Policore dhe Penale i vitit 1984
28. Seksioni 76 parashikon:
“(1) Në çfarëdo procedure, një rrëfim nga i akuzuari mund të merret si provë kundër tij për aq sa është relevant ndaj çështjes që po gjykohet dhe nuk përjashtohet nga gjykata në vijim të këtij seksioni;
(2) Nëse, në çdo procedurë ku pala e akuzës propozon paraqitjen e një prove në formën e rrëfimit nga i akuzuari, para gjykatës del që rrëfimi është marrë ose mund të jetë marrë –
(a) duke e detyruar personin që e ka dhënë rrëfimin, ose
(b) si pasojë e diçkaje që është thënë ose bërë e cila me gjasë, në rrethanat ekzistuese të asaj kohe, e bënte të pabesueshëm ço rrëfim që mund të bëhej nga ai për rrjedhojë,
gjykata nuk do të lejojë që rrëfimi të merret si provë kundër tij përveç rastit kur pala e akuzës vërteton para gjykatës përtej çdo dyshimi të arsyeshëm që rrëfimi (pavarësisht se mund të jetë i vërtetë) nuk është marrë si më lart.
...”
29. Seksioni 78(1) parashikon:
“Në çdo lloj procedure gjykata mund të refuzojë që të jepen prova mbi të cilat pala e akuzës propozon të mbështetet nëse gjykatës i duket, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat, përfshirë edhe rrethanat në të cilat është përftuar prova, se pranimi i provës në fjalë do të kishte ndikim të atillë negativ mbi drejtësinë e procedurave saqë gjykata nuk do të duhej ta pranonte.”
C. Praktika gjyqësore relevante në vend
30. Në çështjen Brown kundër Stott, cituar lart, Këshilli i Brendshëm (Privy Council) shqyrtoi çështjen e një gruaje të arrestuar për vjedhje në afërsi të një makine që dukej se ishte e saj. Asaj iu bë testi i alkolit i cili doli pozitiv për konsumim alkoli. Me qëllim të verifikimit nëse ajo ishte fajtore për drejtimin e automjetit nën ndikimin e alkolit (në kundërshtim me seksionin 5 të Ligjit të vitit 1988), policia i dërgoi asaj një lajmërim sipas seksionit 172. Prokurori Publik u përpoq ta përdorte përgjigjen e saj që ajo kishte qenë duke ngarë makinën si bazë për ndjekjen penale për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkolit të tepruar. Gjykata e Lartë Penale lejoi apelin e të pandehurës, pasi gjeti që pala e akuzës nuk mund të mbështetej mbi provën e pranimit të cilin ajo ishte detyruar të bënte.
31. Pas apelit të Prokurori Publik, Këshilli i Brendshëm gjeti që përdorimi i pranimit nuk i shkelte kërkesat e nenit 6 të Konventës. Lordi Bingham nga Cornhill, duke dhënë vendimin kryesor, u shpreh, inter alia:
“Rastet e shumta të vdekjeve dhe lëndimeve në rrugë të shkaktuara nga keqpërdorimi i automjeteve përbëjnë një problem shumë serioz dhe të zakonshëm në të gjitha shoqëritë e zhvilluara. Nuk dyshohet se ekziston nevoja për ta zgjidhur në mënyrë efektive, për të mirën e publikut. Mes mënyrave të ndryshme të cilat shoqëritë demokratike kanë përdorur për ta adresuar problemin është edhe nënshtrimi i automjeteve ndaj një regjimi rregullator dhe miratimi i dispozitave për zbatimin e tij përmes identifikimit, ndjekjes penale dhe dënimit të shoferëve që kryejnë shkelje. Materialet ... megjithëse të paplotësuara, ofrojnë përgjigje të ndryshme ndaj problemit të zbatimit. Në disa sisteme ligjore (Spanjë, Belgjikë dhe Francë, për shembull) pronari i regjistruar presupozohet të jetë drejtuesi fajtor për kundravajtje në trafik nëse ai nuk vërteton se automjeti ka qenë nën drejtimin e një personi tjetër në kohën përkatëse ose parashtron baza të tjera për shfajësim. Duke qenë se ka interes të qartë publik për zbatimin e legjislacionit të trafikut rrugor, pyetja thelbësore në këtë rast është nëse seksioni 71 jep përgjigje jo-proporcionale, apo përgjigje të atillë që shkel të drejtën e një të pandehuri për gjyq të drejtë, nëse në gjyq përdoret pranimi që ai vetë ka qenë drejtuesi i automjetit në atë kohë.
Personalisht, nuk konsideroj që seksioni 172, zbatuar si duhet, paraqet një përgjigje jo-proporcionale ndaj këtij problemi shoqëror serioz, e as nuk mendoj që të mbështeturit tek pranimi i të pandehurës në rastin konkret do të shkelte të drejtën e saj për të pasur gjyq të drejtë. Në këtë përfundim kam arritur për shumë arsye.
1. Seksioni 172 parashikon bërjen e një pyetjeje të vetme shumë të thjeshtë. Përgjigjja në vetvetë nuk mund ta inkriminojë të dyshuarin, meqenëse ngasja e automjetit nuk përbën vepër penale. Natyrisht që pranimi i drejtimit të automjetit, si këtu, mund të përbëjë provë të një fakti të nevojshëm për dënim, por seksioni nuk sanksionon marrjen e gjatë në pyetje lidhur me faktet që pretendohet se i japin shkas veprave penale në mënyrë të atillë siç u shpreh të ishte e kundërshtueshme në çështjen Saunders, dhe dënimi për refuzimin e dhënies së përgjigjes sipas seksionit është mesatar dhe jo-burgosës. Në rastin konkret, nuk ka shenja detyrimi apo shtrëngimi të papërshtatshëm të atillë që do të mund t’i jepte shkas pranimeve të pabesueshme duke kontribuar kështu në zbatimin e shtrembëruar të drejtësisë, dhe sikur të kishte prova të një sjelljeje të tillë gjyqtari në gjyq do të kishte pushtet të gjerë për të përjashtuar provat e pranimit.
2. Ndërkohë që Gjykata e Lartë kishte për detyrë të bënte dallimin ... mes dhënies së një përgjigjeje sipas seksionit 172 dhe sigurimit të shembujve fizikë, dhe kishte autoritetin e Gjykatës Evropiane në çështjen Saunders ... për të vepruar kështu, ky dallim sipas mendimit tim nuk do të duhej të shtyhej tepër larg. Është e vërtetë që përgjigjja e të pandehurës qoftë me gojë apo me shkrim do të krijonte prova të reja të cilat nuk ekzistonin para se ajo të fliste ose të shkruante. Nga ana tjetër, mund të konstatohet që përqindja e alkolit në gjakun e saj ishte fakt që ekzistonte përpara se ajo të bënte testin e alkolit me pajisjen përkatëse. Por, tërë qëllimi i të kërkuarit që ajo të frynte në pajisjen për matjen e alkolit në trup (nën paralajmërimin e akuzimit për një vepër penale që ajo e refuzoi) ishte që të merreshin prova të cilat nuk u siguruan deri sa ajo nuk e bëri atë veprim, dhe leximi i tyre i përftuar në këtë mënyrë do të mundte që, në të gjitha kushtet përveç se në rrethana të jashtëzakonshme, të ishte i mjaftueshëm për të dënuar drejtuesin emjetit për shkelje ligji ... Nuk është e lehtë të kuptohet përse një kërkesë për t’iu përgjigjur një pyetjeje është e kundërshtueshme dhe një kërkesë për të bërë testin e alkolit nuk është e kundërshtueshme. Megjithatë, nuk kritikohet kërkesa që e pandehura të bëjë testin e alkolit.
3. Të gjithë ata që kanë në pronësi ose drejtojnë automjete e dinë që ky fakt bën që ata t’i nënshtrohen një regjimi rregullator. Regjimi imponohet jo sepse pronësia apo drejtimi i automjetit është privilegj apo luks i ofruar nga Shteti por sepse pronësia ose drejtimi i automjeteve (si, për shembull, i pushkëve ...) njihet të ketë potencial për shkaktimin e lëndimeve të rënda. Është e vërtetë që seksioni (172(2)(b) lejon që t’i bëhen pyetje ‘çdo personi tjetër’ i cili, nëse nuk është pronari apo drejtuesi, nuk është e thënë që të ketë pranuar në mënyrë të nënkuptuar regjimin rregullativ, por dikush që nuk ka qenë pronari apo drejtuesi nuk do ta inkriminonte veten pavarësisht nga përgjigjja që do të jepte. Nëse, duke e parë këtë situatë, pyesim veten nëse seksioni 172 ofron një përgjigje ligjore jo-proporcionale ndaj problemit të ruajtjes së sigurisë rrugore, nëse ekuilibri mes interesave të komunitetit të gjerë dhe interesave të individit caktohet në mënyrë të atillë që pa nevojë paragjykon individin, nëse (shkurtimisht) marrja e kësaj prove do të shkelte një të drejtë njerëzore themelore të të pandehurës, unë do të ndihesha i detyruar të jepja përgjigje negative. Nëse argumenti në fjalë është i mirë shtetasit britanikë e kanë në dispozicion të tyre që nga viti 1966, por askush në këtë vend, me sa di unë, nuk e ka kritikuar legjislacionin si të padrejtë deri tani.”
Vendimi u mor nga Gjykata e Lartë Angleze në çështjen Drejtori i Prokurorisë Publike kundër Wilson, cituar lart.
LIGJI
SHKELJET E PRETENDUARA TË NENIT 6 §§1 DHE 2 TË KONVENTËS
32. Kërkuesit pretenduan që ata i ishin nënshtruar detyrimit për të dhënë prova inkriminuese në shkelje të së drejtës për të qëndruar në heshtje dhe privilegjit kundër vet-inkriminimit. Neni 6 i Konventës parashikon, për aq sa është relevant, si më poshtë:
“1. Për të konstatuar ... çdo akuzë penale kundër një personi, secili ka të drejtën e një seance ... të drejtë ... nga [një] ... tribunal ...
2. Çdo person i akuzuar për vepër penale presupozohet i pafajshëm deri sa vërtetohet se është fajtor sipas ligjit.”
A. Zbatueshmëria e nenit 6 § 1 të Konventës
33. Kërkuesit parashtruan që pjesa kritike e nenit 6 § 1 ishte e zbatueshme në rastin e tyre sepse secili prej tyre kishte marrë një Lajmërim për Qëllim Ndjekjeje Penale, dhe secili prej tyre ishte gjobitur, Z. O’Halloran për drejtim automjeti mbi shpejtësinë e lejuar dhe Z. Francis për refuzim të dhënies së emrit të drejtuesit të automjetit në rastin përkatës.
34. Qeveria nuk sugjeroi që neni 6 § 1 nuk ishte i zbatueshëm në këto çështje.
35. Gjykata gjen që kërkuesit janë “ndikuar substancialisht” nga Lajmërimet për Qëllim Ndjekjeje Penale që kanë marrë, aq sa të “akuzuar” për veprat përkatëse të tejkalimit të shpejtësisë brenda kuptimit autonom të atij termi në nenin 6 të Konventës (shih Serves kundër Francës, 20 tetor 1997, § 42, Përmbledhje e Vendimeve 1997-VI). Sidoqoftë, neni 6 i Konventës mund të jetë i zbatueshëm në rastet e detyrimit për të dhënë prova edhe në mungesë të procedurave të tjera, apo aty ku një kërkues shpallet i pafajshëm në procedurë themelore (shih Funke kundër Francës, 25 shkurt 1993, §§ 39 dhe 40, Seria A nr. 256‑A, dhe Heaney dhe McGuinness kundër Irlandës, nr. 34720/97, §§ 43-45, KEDNJ 2000‑XII).
36. Gjykata pranon që neni 6 është i aplikueshëm në rastin konkret.
B. Veprimi në pajtim me nenin 6 § 1 të Konventës
1. Parashtrimet e palëve
37. Qeveria parashtroi që privilegji kundër vet-inkriminimit dhe e drejta për të qëndruar në heshtje nuk ishin absolute dhe zbatimi i tyre mund të kufizohej duke iu referuar qëllimeve të tjera legjitime me interes publik. Përveç rasteve lidhur me të drejtën për të qëndruar në heshtje (shih, për shembull, Saunders kundër Mbretërisë së Bashkuar, 17 dhjetor 1996, § 62, Raportet 1996-VI), ato i referoheshin kufizimeve të qasjes në gjykatë (shih, për shembull, Ashingdane kundër Mbretërisë së Bashkuar, 28 maj 1985, § 58, Seria A nr. 93), drejt praktikës gjyqësore që tregonte se në rrethana të caktuara Shtetet Kontraktuese lejoheshin të përmbysnin barrën e provës në çështje të caktuara nëse kjo nuk dëmtonte ekuilibrin e drejtë mes interesave të individit dhe interesave të përgjithshme të komunitetit (shih, për shembull, Salabiaku kundër Francës, 7 tetor 1988, § 28, Seria A nr. 141-A), në kufizimet e pranueshme mbi të drejtat e mbrojtjes në rastet e barazisë së mjeteve (shih Fitt kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 29777/96, § 45, KEDNJ 2000-II), dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve (shih S.N. kundër Suedisë, nr. 34209/96, § 47, KEDNJ 2002-V), dhe gjithashtu ndaj parimit të përgjithshëm që i takon kryesisht ligjit kombëtar të rregullojë pranueshmërinë e provave, përfshirë edhe ato inkriminuese (shih, për shembull, Khan kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 35394/97, § 38, KEDNJ 2000-V).
38. Qeveria argumentoi që pushteti sipas seksionit 172 i Ligjit për Trafikun Rrugor i vitit 1988 (“Ligji i vitit 1988”) për të marrë përgjigje për pyetjen se kush ishte duke drejtuar automjetin në momentin e kryerjes së një shkeljeje në trafik dhe për ta përdorur atë përgjigje si provë në ndjekjen penale ose ndjekja penale e një personi i cili nuk ka dhënë informacion ishte në përputhje me nenin 6. Kishte arsye të forta përse pronarit i kërkohej që të identifikonte drejtuesin: ekzistimi në ligj i veprave të trafikut ka për qëllim të pengojë sjelljen që shkakton rrezik për publikun dhe pengimi të mbështetet në zbatim efektiv (hulumtimet kanë treguar se kamerat e shpejtësisë etj. kishin zvogëluar numrin e aksidenteve deri në 28%), nuk kishte alternativë tjetër e dukshme aq efektive ndaj pushtetit të përmbajtur në seksionin 172 dhe pa një pushtet të tillë do të ishte e pamundur të hetoheshin dhe ndiqeshin penalisht si duhet veprat e trafikut, dhe thjesht fakti i të qenit drejtues i një automjeti nuk ishte në vetvete inkriminues. Nga ana tjetër, as seksioni 172 nuk shkelte presupozimin e pafajësisë si pesha e përgjithshme e provës që i mbetet palës së akuzës. Ai siguronte bërjen e një pyetjeje të vetme lidhur me rrethana të caktuara dhe të gjitha mjetet e zakonshme mbrojtëse kundër përdorimit të provave të pabesueshme ose provave të përftuara me mjete të papërshtatshme vazhdojnë të ekzistojnë, ndërkohë që dënimi maksimal është vetëm gjobë në shumën 1.000 paund.
39. Qeveria konsideroi që përdorimi i seksionit 172 ishte më i kufizuar në efektin e tij mbi drejtuesit e automjeteve nga ç’do të ishin alternativat e tjera të mundshme si nxjerrja e konotacioneve negative nga mos-dhënia nga mbajtësi i regjistruar i automjetit e emrit të drejtuesit kur i kërkohet, apo një presupozim statusor i faktit që drejtuesi i regjistruar ishte drejtuesi faktik në kohën relevante nëse ai nuk vërteton të kundërtën. Qeveria gjithashtu konsideroi që vetë fakti që teknikat e tjera legjislative mund të sillnin të njëjtin rezultat tregonte se çështjet e proporcionalitetit – dhe jo çështjet e natyrës absolute të të drejtave sugjeruar nga kërkuesit në rastet e detyrimit të drejtpërdrejtë – ishin në diskutim.
40. Kërkuesit u shprehën që problemi serioz i shkaktuar nga keqpërdorimi i automjeteve nuk ishte i mjaftueshëm për të justifikuar një sistem detyrimi i cili shuante thelbin e të drejtave nga neni 6. Natyra relativisht e vogël e dënimeve nuk ishte relevante meqenëse të drejtat e nenit 6, përfshirë parimin kundër vet-inkriminimit dhe të drejtën për të qëndruar në heshtje, zbatoheshin në procedura penale të të gjitha llojeve pa dallim. Ata thanë që nuk kishte alternativa të tjera të dukshme, duke konstatuar që metodat e detyrimit indirekt, apo përdorimi i informacionit inkriminues të përftuar përmes detyrimit jashtë kontekstit të vetë procedurave penale, do të kishin të njëjtin fund. Ata argumentuan që i pandehuri aktual ose potencial nuk mund të detyrohej, nën paralajmërimin e dënimit, të jepte informacione të cilat vetëm ai mund t’i jepte dhe të cilat nuk mund të siguroheshin nga dokumentet apo provat fizike pavarësisht nga vullneti i tij. Palës së akuzës i kërkohej që t’i vërtetonte argumentet e saj pa përdorur detyrimin që sfidonte vullnetin e të akuzuarit.
41. Kërkuesit konsideruan që ekzistenca e teknikave të tjera legjislative në prurjen e të njëjtave rezultate por në mënyrë më pak ndërhyrëse tek të drejtat e të akuzuarit (nxjerrja e kuptimeve negative nga mos-dhënia e përgjigjeve ndaj pyetjeve, ose konstatimi i një presupozimi statutor të fakteve që pronari i regjistruar ka qenë drejtuesi i automjetit nëse ai nuk vërteton të kundërtën) konfirmonte që regjimi ekzistues nuk ishte rreptësisht i nevojshëm në një shoqëri demokratike.
42. Ata vërejtën që në çështjet Saunders dhe Hianey dhe McGuiness (të dyja të cituara lart) Gjykata kishte vendosur që nuk mund të përmendej interesi publik për të justifikuar përdorimin e përgjigjeve të marra në mënyrë të detyrueshme. Ata refuzuan argumentet e Gjykatës që kishte mbrojtje kundër përdorimit të materialeve në dispozitat e Ligjit për Provat Policore dhe Penale të vitit 1984, meqenëse seksionet 76 dhe 78 të atij Ligji nuk mund të përjashtonin dëshminë e mbledhur në përputhje me një dispozitë statusore. Meqenëse kërkuesit kanë kaluar nëpër procedura penale në vazhdim dhe jo nëpër një hetim krejtësisht rregullator kur i janë nënshtruar detyrimit të drejtpërdrejtë, ka pasur kështu edhe shkelje të nenit 6 § 1 dhe shkelje të nenit 6 § 2 të Konventës.
2. Vlerësimi i Gjykatës
(a) Hyrje
43. Gjykata fillimisht vëren se kërkuesit ishin në situata të ndryshme faktike. Z. O’Halloran e pranoi që ai kishte qenë shoferi në rastin konkret, dhe u përpoq pa sukses që ta përjashtonte këtë provë nga gjykimi i tij. Pas kësaj ai u dënua për tejkalim të shpejtësisë. Z. Francis refuzoi të jepte emrin e drejtuesit të automjetit në kohën dhe datën e përmendur në Lajmërimin për Qëllim Ndjekjeje Penale dërguar atij, dhe u dënua për këtë refuzim. Çështja e Z. O’Halloran duket në shikim të parë se i ngjason çështjes Saunders (cituar lart), ku kërkuesi u ankua për përdorimin në procedura penale të provave të cilat ai pretendoi se ishin marrë në shkelje të nenit 6. Çështja e Z. Francis, nga ana tjetër, do të dukej më e ngjashme me çështjet Funke (cituar lart), J.B. kundër Zvicrës (nr. 31827/96, KEDNJ 2001‑III), Heaney dhe McGuinness (cituar lart), dhe Shannon kundër Mbretërisë së Bashkuar, (nr. 6563/03, 4 tetor 2005), ku në secilën prej këtyre çështjeve kërkuesi u gjobit për mos-dhënien e informacionit, dhe në secilën prej tyre Gjykata e mori në konsideratë gjobën pavarësisht nga ekzistenca apo rezultati i procedurave bazë.
44. Megjithatë, në secilin rast, pyetja qendrore është nëse detyrimi i një personi që është subjekt i një akuze për tejkalim shpejtësie nga seksioni 172 i Ligjit të vitit 1998 për të dhënë deklarata të cilat e inkriminojnë atë është në përputhje me nenin 6 të Konventës. Prandaj, për aq sa është e mundur, Gjykata do t’i shqyrtojë të dyja çështjet bashkë.
(b) Praktika gjyqësore e Gjykatës
45. Në çështjen Funke, kërkuesi u dënua për mos-paraqitjen e “letrave dhe dokumenteve ... lidhur me veprimet në interes të departamentit të [doganave]” të cilat besohej se duhet të ekzistonin (neni 65 i Kodit Doganor). Gjykata gjeti që përpjekja për të detyruar vetë kërkuesin të jepte prova lidhur me veprat që ai supozohej të kishte kryer shkelte të drejtën e tij për të qëndruar në heshtje dhe për të mos kontribuar në vet-inkriminim (Funke, cituar lart, § 44). Gjykata nuk shtjelloi më tej lidhur me natyrën e të drejtës për të qëndruar në heshtje dhe për të mos i kontribuar inkriminimit të vetes.
46. Çështja John Murray kundër Mbretërisë së Bashkuar (8 shkurt 1996, Raportet 1996‑I) kishte të bënte, mes të tjerash, me nxjerrjen e kuptimit nga heshtja e një personi gjatë marrjes në pyetje dhe gjykimit. Gjykata gjeti që nuk kishte dyshim se “e drejta për të qëndruar në heshtje gjatë marrjes në pyetje nga policia dhe privilegji kundër vet-inkriminimit janë standarde përgjithësisht të njohura ndërkombëtare që ndodhen në zemër të nocionit të procedurës së drejtë sipas nenit 6 ... Duke i ofruar të akuzuarit mbrojtje kundër detyrimit të papërshtatshëm nga ana e autoriteteve këto imunitete kontribojnë në shmangien e administrimit të paduhur të drejtësisë dhe në sigurimin e qëllimeve të nenit 6” (shih John Murray, cituar lart, § 45). Gjykata u përball me dy ekstreme. Nga njëra anë, ishte krejt e qartë që ishte në shpërputhje me imunitetet bazimi i një bindjeje vetëm ose kryesisht mbi heshtjen e të akuzuarit ose mbi refuzimin për t’iu përgjigjur pyetjeve ose për të dhënë prova vetë. Nga ana tjetër, imunitetet nuk mund dhe duhej të pengonin marrjen parasysh të heshtjes së të akuzuarit në situata të cilat haptas kërkonin shpjegim. Përfundimi ishte që “e drejta për të qëndruar në heshtje” nuk ishte absolute (ibid., § 47). Në diskutimin e shkallës së detyrimit në këtë rast, Gjykata vërejti që heshtja e kërkuesit nuk përbënte vepër penale apo shpërfillje të gjykatës, dhe që heshtja në vetvete nuk mund të konsiderohej si tregues i fajit (ibid., § 48). Kështu, Gjykata e bëri dallimin mes çështjes Funke, ku shkalla e detyrimit efektivisht kishte “shkatërruar vetë thelbin e privilegjit kundër vet-inkriminimit” (ibid. § 49).
47. Çështja Saunders kishte të bënte me përdorimin në gjyqin penal kundër kërkuesit të deklaratave të cilat ishin marrë nën detyrim ligjor sipas Ligjit për Kompanitë të vitit 1985. Dispozitat vendase kërkonin që zyrtarët e kompanive të paraqisnin letra dhe dokumente, të dilnin para inspektorëve dhe t’i ndihmonin inspektorët në hetimet e tyre, nën paralajmërimin e dënimit potencial me gjobë apo burgosje, për dy vjet. Gjykata iu referua çështjeve John Murray dhe Funke, dhe gjeti që e drejta për të mos inkriminuar vetveten kishte të bënte kryesisht me respektimin e vullnetit të të akuzuarit për të qëndruar në heshtje. Nuk shtrihej deri tek përdorimi në procedura penale i materialeve që mund të merreshin nga i akuzuari përmes përdorimit të metodave detyruese por të cilat ekzistonin pavarësisht nga vullneti i të akuzuarit, siç janë kampionet e frymëmarrjes, gjakut dhe urinës. Gjykata u shpreh që çështja nëse përdorimi nga pala e akuzës i deklaratave të marra prej kërkuesit nga inspektorët nën detyrim përbënte shkelje të pajustifikuar të së drejtës “duhet të shqyrtohej në kushtet e të gjitha rrethanave të çështjes”: në mënyrë të veçantë, duhet të përcaktohej nëse kërkuesi i ishte nënshtruar detyrimit për të dhënë prova dhe nëse përdorimi i dëshmive rezultuese shkelte parimet bazë të procedurës së drejtë (shih Saunders, cituar lart, §§ 67 dhe 69).
48. Kërkuesi në çështjen Serves (cituar lart) u ftua si dëshmitar në procedurat në të cilat ai fillimisht kishte qenë i akuzuar, megjithëse në datën e fletëthirrjes për dëshmitarin dhe në procedurat vijuese hapat përkatës hetimorë ishin deklaruar të pavlefshëm. Ai refuzoi të bënte betimin e dëshmitarit sipas Kodit të Procedurës Penale mbi bazën e faktit që provat të cilat ai mund të ftohej të jepte para gjyqtarit hetues do të kishin qenë vet-inkriminuese. Gjykata pranoi që do të kishte qenë e pranueshme që kërkuesi të refuzonte t’u përgjigjej pyetjeve nga gjyqtari të cilat me gjasë mund ta çonin atë drejt provave vet-inkriminuese, por gjeti bazuar në fakte që gjoba në atë çështje ishte caktuar në mënyrë që të siguronte që deklaratat ishin të vërteta, e jo për të detyruar dëshmitarin që të jepte prova. Rrjedhimisht, gjobat ishin vendosur para se të shfaqej rreziku i vet-inkriminimit (shih Serves, cituar lart, §§ 43-47).
49. Në çështjen Heaney and McGuinness, kërkuesit, të cilët ishin arrestuar në lidhje me një bombë, refuzuan t’u përgjigjeshin pyetjeve sipas një legjislacioni të veçantë që i kërkonte individëve të jepnin llogari të plotë lidhur me lëvizjet dhe veprimet e tyre gjatë një periudhe të specifikuar. Ata u shfajësuan nga vepra substanciale, dhe u burgosën për mos-dhënie llogari lidhur me lëvizjet e tyre. Pas shqyrtimit të praktikës gjyqësore dhe gjetjes së zbatueshmërisë së nenit 6 §§ 1 dhe 2, Gjykata pranoi që e drejta për të qëndruar në heshtje dhe e drejta për të mos inkriminuar veten nuk ishin të drejta absolute. Më pas, ajo gjeti, pas shqyrtimit të mjeteve mbrojtëse procedurale në dispozicion, që “shkalla e detyrimit” e imponuar ndaj kërkuesve, realisht, dënim dhe burgim për mos-dhënien e “llogarisë së plotë lidhur me lëvizjet dhe veprimet [e tyre] gjatë një periudhe të specifikuar dhe tërë informacionin në posedim [të tyre] në lidhje me kryerjen apo kryerjen e synuar të [veprave të specifikuara]”, “efektivisht kanë shkatërruar vetë thelbin e privilegjit të tyre kundër vet-inkriminimit dhe të drejtën e tyre për të qëndruar në heshtje”. Prandaj, Gjykata konsideroi që shqetësimet e sigurisë dhe rendit publik mbi të cilat është mbështetur Qeveria nuk mund të justifikonin dispozitën (shih Heaney dhe McGuiness, cituar lart, §§ 47-58, referenca e mëparshme në § 24).
50. Kërkuesi në çështjen Weh kundër Austrisë (nr. 38544/97,8 prill 2004) u gjobit për dhënien e informacionit të pasaktë në përgjigje të një kërkese nga Autoriteti i Qarkut sipas Ligjit për Mjetet Motorike për zbulimin e emrit dhe adresës së drejtuesit të automjetit të tij në një datë të dhënë. Procedurat tashmë ishin hapur kundër shkelësve të panjohur. Gjykata refuzoi të mbështetej tek çështjet e mëparshme P., R. dhe H. (kundër Austrisë, nr. 15135/89, nr. 15136/89 dhe nr. 15137/89, vendimi i Komisionit i datës 5 shtator 1989, Vendimet dhe Raportet 62, fq. 319), dhe vërejti që kërkuesit nuk i ishte kërkuar më shumë sesa deklarimi i një fakti të thjeshtë – kush kishte qenë drejtuesi i automjetit të tij – çka në vetvete nuk ishte vet-inkriminues. Gjykata gjeti që, në çështjen që kishte përpara, nuk kishte lidhje mes procedurave penale që kishin filluar kundër personave të panjohur dhe procedurave në të cilat kërkuesi u gjobit për dhënien e informacionit të pasaktë (shih Weh, cituar lart, §§ 32-56).
51. Në çështjen Shannon (cituar lart) kërkuesit iu kërkua t’i jepte informacione një hetuesi lidhur me vjedhjen dhe llogarinë fallso sipas Urdhrit për të Ardhurat nga Krimi (Irlanda e Veriut) të vitit 1996. Ai nuk u paraqit në intervistë për t’i dhënë informacionet dhe u gjobit. Megjithëse kërkuesi u shfajësua në procedurat kryesore kundër tij për llogari fallso dhe komplot për mashtrim nga të njëjtat fakte, Gjykata doli me përfundimin që i takonte kërkuesit të ankohej për ndërhyrje në të drejtën e tij për të mos inkriminuar vetveten. Si justifikim për masat detyruese, Gjykata vërejti që jo të gjitha masat detyruese i jepnin shkas një përfundimi për ndërhyrje të pajustifikuar tek e drejta për të mos inkriminuar veten. Gjykata gjeti që as konteksti i sigurisë e as mbrojtja procedurale në dispozicion nuk mund t’i justifikonin masat në këtë rast (shih Shannon, cituar lart, §§ 26-40).
52. Çështja Jalloh kundër Gjermanisë ([GC], nr. 54810/00, KEDNJ 2006‑IX) kishte të bënte me përdorimin e provave në formën e drogës së gëlltitur nga kërkuesi, e cila ishte përftuar me anë të administrimit të detyrueshëm të emetikës (vjelljes). Gjykata mori në shqyrtim të drejtën për të qëndruar në heshtje dhe privilegjin kundër vet-inkriminimit në kushtet e mëposhtme:
“94. ... Ndërkohë që neni 6 garanton të drejtën e gjyqit të drejtë, ai nuk vendos asnjë rregull lidhur me pranueshmërinë e provave si të tilla, çka përbën çështje rregullimi nga ligji kombëtar (shih Schenk kundër Zvicrës, 12 korrik 1988, §§ 45-46, Seria A nr. 140, dhe Teixeira de Castro kundër Portugalisë, 9 qershor 1998, § 34, Raportet 1998-IV).
...
100. Për sa i përket përdorimit të provave të marra në shkelje të së drejtës për heshtje dhe privilegjit kundër vet-inkriminimit, Gjykata kujton se këto janë standarde përgjithësisht të njohura ndërkombëtare të cilat qëndrojnë në zemër të nocionit të procedurës së drejtë sipas nenit 6. Arsyetimi i tyre ka të bëjë, inter alia, me mbrojtjen e të akuzuarit kundër detyrimit të papërshtatshëm nga autoritetet, duke kontribuar kështu në shmangien e administrimit të paduhur të drejtësisë dhe përmbushjen e qëllimeve të nenit 6. E drejta për të mos inkriminuar vetveten, në mënyrë të veçantë, presupozon që pala e akuzës në një çështje penale kërkon të vërtetojë argumentet e veta kundër të akuzuarit pa u mbështetur në provat e përftuara me anë të metodave të detyrimit apo shtrëngimit në shpërfillje të vullnetit të të akuzuarit (shih, inter alia, Saunders, cituar lart, § 68; Heaney dhe McGuinness, cituar lart, § 40; J.B. kundër Zvicrës, nr. 31827/96, § 64, KEDNJ 2001-III; dhe Allan [kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 48539/99], § 44, [KEDNJ 2002‑IX]).
101. Në shqyrtimin nëse një procedurë e ka shuar vetë thelbin e privilegjit kundër vet-inkriminimit, Gjykata do të marrë parasysh në mënyrë të veçantë elementet në vijim: natyrën dhe shkallën e detyrimit, ekzistencën e mbrojtjeve relevante në procedura dhe mënyrën e përdorimit të materialeve të përftuara (shih, për shembull, Tirado Ortiz dhe Lozano Martin kundër Spanjës (vend.), nr. 43486/98, KEDNJ 1999-V; Heaney dhe McGuinness, cituar lart, §§ 51-55; dhe Allan, cituar lart, § 44).
102. Megjithatë, Gjykata është shprehur vazhdimisht që e drejta për të mos inkriminuar veten kryesisht ka të bëjë me respektimin e vullnetit të të akuzuarit për të qëndruar në heshtje. Siç kuptohet përgjithësisht në sistemet ligjore të Palëve Kontraktuese të Konventës dhe gjetkë, ajo nuk shtrihet deri tek përdorimi në procedura penale i materialeve që mund të jenë përftuar nga i akuzuari përmes përdorimit të fuqive detyruese por materiale të vilat ekzistojnë pavarësisht nga i akuzuari ...
113. Sipas mendimit të Gjykatës, provat në këtë rast, konkretisht droga e fshehur në trupin e kërkuesit e cila u nxor me anë të administrimit të detyrueshëm të emetikës, mund të konsiderohej se hynte në kategorinë e materialit që ka ekzistencën e vet pavarësisht nga vullneti i të dyshuarit, dhe përdorimi i kësaj lloj prove përgjithësisht nuk është i ndaluar në procedura penale. Megjithatë, ka disa elemente të cilat e dallojnë rastin në fjalë nga shembujt e renditur në Saunders. Së pari, ashtu si edhe me masat e diskutuara në çështjen Funke dhe J.B. kundër Zvicrës, administrimi i emetikës u përdor për të nxjerrë në pah prova reale duke shkuar kundër vullnetit të kërkuesit. Nga ana tjetër, materiali fizik i përmendur në çështjen Saunders ishte material i marrë me forcë nga ekzaminimi mjeko-ligjor me qëllim të përcaktuar, për shembull, praninë e alkolit apo të drogës.
114. Së dyti, shkalla e forcës së përdorur në rastin konkret dallon shumë nga shkalla e detyrimit që kërkohet zakonisht për të marrë lloje të ndryshme materialesh të përmendura në çështjen Saunders. Për ta përftuar këtë lloj materiali, të pandehurit i kërkohet të durojë në mënyrë pasive një ndërhyrje të vogël ndaj integritetit të tij fizik (për shembull kur merren kampione gjaku, fije floku apo mostra nga trupi). Edhe nëse kërkohet pjesëmarrja aktive e të pandehurit, mund të shihet nga rasti i Saunders që kjo ka të bëjë me materialin e prodhuar nga funksionimi normal i trupit (siç janë kampionet e frymëmarrjes, urinës apo zërit). Ndryshe nga kjo, detyrimi i kërkuesit në rastin konkret për të nxjerrë përmes të vjellurit provat e nevojshme kërkonte futjen e një tubi përmes hundës dhe administrimin e një substance për të provokuar një reagim patologjik të trupit të tij. Siç u përmend më parë, kjo procedurë nuk ishte pa rrezik për shëndetin e kërkuesit.
115. Së treti, provat në rastin konkret u morën me anë të një procedure e cila shkelte nenin 3. Procedura e përdorur në rastin e kërkuesit bën kontrast të theksuar me procedurat për marrjen, për shembull, të kampionit të gjakut apo frymëmarrjes. Procedurat e kësaj natyre, përveç se në rrethana të jashtëzakonshme, nuk e arrijnë nivelin minimal të rreptësisë sa të shkelin nenin 3. Për më tepër, megjithëse përbëjnë ndërhyrje në të drejtën e kërkuesit për respektim të jetës private, këto procedura në përgjithësi janë të justifikuara nga neni 8 § 2 si të nevojshme për parandalimin e veprave penale (shih, inter alia, Tirado Ortiz dhe Lozano Martin, cituar lart).
116. ... Parimi kundër vet-inkriminimit është i zbatueshëm në procedurat aktuale.
117. Për të përcaktuar nëse e drejta e kërkuesit për të mos inkriminuar vetveten është shkelur, Gjykata do të marrë në konsideratë, me radhë, faktorët në vijim: natyrën dhe shkallën e detyrimit të përdorur për të marrë provat; peshën e interesit publik në hetimin dhe dënimin e veprës në fjalë; ekzistencën e dhe mjetet mbrojtëse në këtë procedurë; dhe mënyra e përdorimit të çdo materiali të përftuar për rrjedhojë.”
(c) Vlerësimi i Gjykatës
53. Kërkuesit argumentuan që e drejta për të qëndruar në heshtje dhe e drejta për të mos inkriminuar veten janë të drejta absolute dhe që zbatimi i çdo lloj detyrimi për t’i kërkuar një të akuzuari të bëjë deklarata inkriminuese kundër vullnetit të tij në vetvete shkatërron vetë thelbin e asaj të drejte. Gjykata nuk mund ta pranojë këtë. Është e vërtetë, siç përmendet nga kërkuesit, që në të gjitha çështjet deri tani ku është zbatuar “detyrimi i drejtpërdrejtë” për t’i kërkuar të dyshuarit aktual ose potencial që të jepte informacione të cilat kontribuonin, ose mund të kishin kontribuar, në dënimin e tij, Gjykata ka gjetur një shkelje të privilegjit të kërkuesit kundër vet-inkriminimit. Megjithatë, nga kjo nuk rrjedh që çdo detyrim i drejtpërdrejtë rezulton automatikisht në shkelje. Ndërkohë që e drejta për gjyq të drejtë sipas nenit 6 është e drejtë e pakualifikuar, ajo që e bën një gjyq të drejtë nuk mund t’i nënshtrohet një rregulle të vetme të pandryshueshme por duhet të varet nga rrethanat e çështjes konkrete. Kjo u konfirmua në kontekstin specifik të së drejtës për të qëndruar në heshtje në çështjen Heaney dhe McGuiness dhe, kohët e fundit, në vendimin e Gjykatës në çështjen Jalloh, në të cilën Gjykata identifikoi faktorët të cilët do t’i merrte parasysh kur të përcaktonte nëse ishte shkelur privilegji i kërkuesit kundër vet-inkriminimit.
54. Kërkuesit u shprehën se çështja Jalloh dallonte nga çështja në fjalë meqenëse ajo kishte të bënte jo me marrjen përmes detyrimit të deklaratave inkriminuese por me përdorimin e provave “reale” të llojit të përmendur në çështjen Saunders siç janë kampionët e gjakut, urinës dhe frymëmarrjes, dhe kështu ishte një përjashtim nga rregulla e përgjithshme e vendosur në atë vendim. Gjykata pranon që rrethanat faktike në çështjen Jalloh ishin shumë të ndryshme nga çështja aktuale. Megjithatë, mendimi i saj mbetet i pandryshuar nga argumenti i kërkuesve. Edhe sikur të mund të bëhej një dallim i qartë në secilën çështje mes përdorimit të detyrimit për marrjen e deklaratave inkriminuese nga njëra anë dhe provave “reale” të natyrës inkriminuese nga ana tjetër, Gjykata vëren se çështja Jalloh nuk është trajtuar si e atillë që bënte pjesë në përjashtimin e provave “reale” në çështjen Saunders; përkundrazi, Gjykata u shpreh që çështja duhej trajtuar si rast vet-inkriminimi sipas kuptimit më të gjerë dhënë atij termi në çështjet Funke dhe J.B. kundër Zvicrës për të përfshirë rastet në të cilat detyrimi për dorëzimin e provave inkriminuese ishte çështje diskutimi (shih Jalloh, cituar lart, §§ 113-16).
55. Duke pasur parasysh parimet e përmbajtura në vendimin në çështjen Jalloh, dhe për të përcaktuar nëse ishte shkelur thelbi i të drejtës së kërkuesve për të qëndruar në heshtje dhe privilegji kundër vet-inkriminimit, Gjykata do të fokusohet tek natyra dhe shkalla e detyrimit të përdorur për përftimin e provave, ekzistenca e çdo mjeti mbrojtës në dispozicion në atë procedurë, dhe mënyrën e përdorimit të çdo materiali të përftuar në atë mënyrë.
56. Natyra dhe shkalla e detyrimit të përdorur për të marrë provat në rastin e Z. O’Halloran, apo për të tentuar të merreshin prova në rastin e Z. Francis, ishin të shënuara në Lajmërimin për Qëllim të Ndjekjes Penale që ka marrë secili kërkues. Ata u informuan që, si mbajtës të regjistruar të automjeteve të tyre, atyre u kërkohej të jepnin emrin dhe adresën e plotë të drejtuesit të mjetit në kohën dhe rastin e specifikuar. Secili prej tyre u informua që mos-dhënia e informacionit përbënte vepër penale sipas seksionit 172 të Ligjit për Trafikun Rrugor të vitit 1988. Dënimi për mos-dhënien nga kërkuesit të informacionit të kërkuar ishte gjobë deri në 1.000 paund dhe skualifikimi nga drejtimi i automjetit ose caktimi i tre pikëve dënimi në patentën e shoferit të secilit prej tyre.
57. Gjykata pranon që detyrimi ishte i një natyre të drejtpërdrejtë, siç ishte detyrimi në rastet e tjera ku gjobat ishin kërcënuar ose imponuar për mos-dhënie informacioni. Në rastin konkret, detyrimi u imponua në kontekstin e seksionit 172 të Ligjit për Trafikun Rrugor, i cili imponon një detyrë të veçantë për mbajtësin e regjistruar të një automjeti për të dhënë informacion lidhur me drejtuesin e automjetit në rrethana të caktuara. Gjykata vëren që, megjithëse edhe detyrimi edhe veprat e përfshira ishin të natyrës “penale”, detyrimi rridhte nga fakti, siç e shprehu Lordi Bingham në Këshillin e Brendshëm në çështjen Brown kundër Stott (shih paragrafin 31 lart), që “[të] gjithë personat që posedojnë ose drejtojnë mjete motorike e dinë që ky fakt i nënshtron ata ndaj një regjimi rregullator. Ky regjim imponohet jo sepse posedimi apo drejtimi i automjetit është privilegj apo luks i ofruar nga Shteti por sepse posedimi ose drejtimi i automjetit (si, për shembull, i pushkëve ...) njihet që ka potencialin të shkaktojë lëndime të rënda.” Ata që zgjedhin të mbajnë dhe të drejtojnë mjete motorike merret që kanë pranuar disa përgjegjësi dhe detyrime të caktuara si pjesë e regjimit rregullator që ka të bëjë me mjetet motorike, dhe në kuadrin ligjor të Mbretërisë së Bashkuar këto përgjegjësi përfshijnë detyrimin, në rast kryerjeje të dyshuar të veprave në trafikun rrugor, që të informojnë autoritetet lidhur me identitetin e drejtuesit të mjetit në atë rast.
58. Një aspekt i mëtejshëm i detyrimit i zbatuar në rastet konkrete është natyra e kufizuar e hetimit të cilin policia ishte e autorizuar të ndërmerrte. Seksioni 172(2)(a) zbatohet vetëm kur drejtuesi i mjetit pretendohet të ketë kryer një vepër relevante, dhe ai autorizon policinë të kërkojë informacione vetëm “në lidhje me identitetin e drejtuesit”. Kështu, informacioni është më i kufizuar sesa në rastet e mëparshme, ku kërkuesit i janë nënshtruar fuqive statusore që kërkonin paraqitjen e “letrave dhe dokumenteve të çfarëdo lloji lidhur me veprimet në interes të [departamentit]” (shih Funke, cituar lart, § 30), ose të “dokumenteve etj. të cilat mund të jenë relevante për vlerësimin e taksave” (shih J.B. kundër Zvicrës, cituar lart, § 39). Në çështjen Heaney dhe McGuiness kërkuesve iu kërkua të jepnin llogari të plotë lidhur me lëvizjet dhe veprimet [e tyre] gjatë një periudhe të specifikuar” (cituar lart, § 24), dhe në çështjen Shannon, informacioni mund të kërkohej (vetëm me kufizime të ngushta të privilegjit ligjor profesional) në lidhje me çdo çështje që hetuesit i dukej se lidhej me hetimet (shih referencën në § 23 Shannon, cituar lart). Informacioni i kërkuar nga kërkuesi në çështjen Weh ishte i kufizuar, si në rastin konkret, në “informatë lidhur me personin që ka qenë duke drejtuar një mjet motorik të caktuar ... në një kohë të caktuar ...” (shih Weh, cituar lart, § 24). Gjykata nuk gjeti shkelje të nenit 6 në atë rast mbi bazën e faktit që nuk kishte procedura në vazhdim apo në pritje të fillimit kundër tij. Ajo shënoi që kërkesa për të deklaruar një fakt të thjeshtë – kush kishte qenë drejtuesi i mjetit – në vetvete nuk ishte inkriminuese (ibid., §§ 53-54). M tej, Lordi Bingham vërejti në Brown kundër Stott (paragrafi 31 lart), seksioni 172 nuk sanksionon marrjen e gjatë në pyetje lidhur me fakte që pretendohet se i japin shkas veprave penale, dhe dënimi për mos-dhënien e përgjigjes është “mesatar dhe jo-burgosës”.
59. Gjykata iu referua në çështjen Jalloh ekzistencës së mjeteve mbrojtëse relevante në procedurë. Në rastet kur zbatohen masat detyruese të seksionit 172 të Ligjit të vitit 1988, Gjykata vëren se sipas seksionit 172(4), nuk kryhet asnjë vepër sipas seksionit 172(2)(a) nëse mbajtësi i automjetit tregon që ai nuk e ka ditur dhe nuk ka mundur me zell të arsyeshëm të dinte se kush ka qenë drejtuesi i automjetit. Kështu, vepra nuk është e përgjegjësisë së rreptë, dhe rreziku i pranimeve të pabesueshme është i neglizhueshëm.
60. Për sa i përket mënyrës së përdorimit të deklaratave, deklarata e Z. O’Halloran që ai ishte drejtuesi i automjetit të vet ishte e pranueshme si provë e faktit për shkak të seksionit 12(1) të Ligjit për Shkelësit e Trafikut Rrugor të vitit 1988 (shih paragrafin 27 lart), dhe ai u dënua përkatësisht për tejkalim shpejtësie. Në gjyqin e tij, ai u përpoq të kontestonte pranimin e deklaratës sipas seksioneve 76 dhe 78 të Ligjit për Provat Policore dhe Penale të vitit 1984, megjithëse kontestimi ishte i pasuksesshëm. I mbetej palës së akuzës që të vërtetonte veprën penale përtej dyshimit të arsyeshëm në procedura të zakonshme, përfshirë mbrojtjen kundër përdorimit të provave të pabesueshme të marra përmes shtrëngimit ose mjeteve të tjera të papërshtatshme (por jo përfshirë kontestimin e pranueshmërisë së deklaratës sipas seksionit 172), dhe i pandehuri mund të paraqiste prova dhe të ftonte dëshmitarë nëse dëshironte. Përsëri, siç u përmend në çështjen Brown kundër Stott, identiteti i drejtuesit të mjetit ishte i vetmi element në veprën e tejkalimit të shpejtësisë, dhe nuk bëhet fjalë për një dënim që del në procedura kryesore vetëm në lidhje me informacionin e përftuar si rezultat i seksionit 172(2)(a).
61. Meqenëse Z. Francis refuzoi të jepte deklaratë, kjo nuk mund të përdorej në procedurat kryesore, dhe në fakt procedurat kryesore nuk u mbajtën asnjëherë. Çështja e përdorimit të deklaratave në procedura penale nuk doli fare, meqenëse refuzimi i tij për të dhënë deklaratë nuk u përdor si provë: ai përbënte vetë veprën (shih Allen kundër Mbretërisë së Bashkuar (vend.), nr. 76574/01, KEDNJ 2002-VIII).
62. Duke marrë parasysh të gjitha rrethanat e rastit, përfshirë natyrën e veçantë të regjimit rregullator në fjalë dhe natyrën e kufizuar të informacionit të kërkuar përmes një lajmërimi nga seksioni 172 i Ligjit për Trafikun Rrugor të vitit 1988, Gjykata konsideron që thelbi i të drejtës së kërkuesve për të qëndruar në heshtje dhe privilegji i tyre kundër vet-inkriminimit nuk është prishur.
63. Rrjedhimisht, nuk ka pasur shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës.
C. Neni 6 § 2 i Konventës
64. Kërkuesit iu referuan nenit 6 § 2 të Konventës dhe prezumimit të pafajësisë gjatë parashtresave të tyre, por nuk ngritën ankesë të ndarë në lidhje me dispozitën.
65. Gjykata gjen që nuk del asnjë çështje e veçantë për shqyrtim sipas nenit 6 § 2 të Konventës.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Vendos me pesëmbëdhjetë vota pro dhe dy kundër që nuk ka pasur shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës;
2. Vendos njëzëri që nuk del asnjë çështje e ndarë sipas nenit 6 § 2 të Konventës.
E bërë në anglisht dhe frëngjisht, dhe e shpallur në seancë publike në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut, Strasburg, më 29 qershor 2007.
Vincent Berger Jean-Paul Costa
Jurist Kryetar
Në përputhje me nenin 45 § 2 të Konventës dhe nenin 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, opinionet e ndara të mëposhtme i bashkëngjiten këtij vendimi:
(a) opinioni paralel i Gjyqtarit Borrego Borrego;
(b) opinioni i pakicës i Gjyqtarit Pavlovschi;
(c) opinioni paralel i Gjyqtarit Myjer.
J.-P.C.
V.B.
Opinionet e veçanta nuk janë përkthyer, por ato janë pjesë e versionit(eve) zyrtar/e në gjuhën angleze dhe/ose franceze të vendimit i cili gjendet në bazën e të dhënave të Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012. Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, ta base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy