© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTA O’KEEFFE k. IRLANDËS
(Kërkesëpadia nr. 35810/09)
VENDIM
[Pjesë të zgjedhura]
STRASBURG
28 janar 2014
Ky vendim është i formës së prerë. Atij mund t’i bëhen rishikime në redaktim.
Në çështjen O’Keeffe k. Irlandës,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e mbledhur në një Dhomë të Madhe të përbërë nga:
Dean Spielmann, kryetar,
Josep Casadevall,
Guido Raimondi,
Ineta Ziemele,
Mark Villiger,
Isabelle Berro-Lefèvre,
Boštjan M. Zupančič,
Alvina Gyulumyan,
Nona Tsotsoria,
Zdravka Kalaydjieva,
Nebojša Vučinić,
Vincent A. de Gaetano,
Angelika Nußberger,
André Potocki,
Krzysztof Wojtyczek
Valeriu Griţco, gjyqtarë,
Peter Charleton, gjyqtar ad hoc,
e nga Michael O’Boyle, zëvendëssekretar,
Pasi e diskutoi çështjen në seancë të mbyllur më 6 mars dhe më 20 nëntor 2013,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë të fundit:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të kësaj çështjeje ndodhet një kërkesëpadi (nr. 35810/09) e ngritur kundër Irlandës dhe me anë të së cilës një shtetase e këtij shteti, Znja Louise O’Keeffe (“paditësja”), i është drejtuar Gjykatës më 16 qershor 2009 në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”).
2. Paditësja është përfaqësuar nga Z. E. Cantillon, avokat në Cork. Qeveria irlandeze (“Qeveria”) është përfaqësuar nga agjenti i saj, Z. P. White, i Ministrisë së Punëve të Jashtme.
3. Duke përfituar nga neni 3 i Konventës, paditësja mbronte kryesisht mendimin se sistemi i arsimit fillor nuk kishte bërë të mundur që ajo të mbrohej nga abuzimet seksuale të një mësuesi më 1973. Ajo shtonte se, në kundërshtim me kërkesat e nenit 13, ajo nuk kishte pasur asnjë mundësi ankimi efektiv për këtë qëllim. Ajo u referohej për më tepër nenit 8 dhe nenit 2 të Protokollit nr. 1, të lexuar veçmas dhe të bashkuar me nenin 14 të Konventës. Së fundi, duke u mbështetur në nenin 6, të lexuar veçmas dhe të bashkuar me nenin 13 të Konventës, ajo ankohej për kohëzgjatjen e procedurës civile të nisur prej saj dhe për një mungesë ankimi të brendshëm efektiv për këtë qëllim.
4. Kërkesëpadia i është caktuar Seksionit të Pestë të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës – “Rregullorja”). Pas tërheqjes së Ann Power-Forde, gjyqtare e zgjedhur në lidhje me Irlandën (neni 28 i Rregullores), kryetari i dhomës ka vendosur më 13 qershor 2012 të caktojë gjyqtarin Peter Charleton për të marrë pjesë në cilësinë e gjyqtarit ad hoc (nenet 26 § 4 i Konventës dhe 29 § 1 i Rregullores).
5. Më 26 qershor 2012, një dhomë e seksionit të lartpërmendur e përbërë nga Dean Spielmann, Mark Villiger, Karel Jungwiert, Boštjan M. Zupančič, Ganna Yudkivska dhe André Potocki, gjyqtarë, e nga Peter Charleton, gjyqtar ad hoc, si edhe nga Claudia Westerdiek, sekretare seksioni, ka vendosur njëzëri, pas shqyrtimit të çështjes, për ta çregjistruar kërkesën nga lista për sa ajo kishte të bënte me ankesat lidhur me kohëzgjatjen e procedurës së brendshme dhe me mungesën e ankimit të brendshëm efektiv për këtë qëllim, meqenëse palët kishin arritur në një zgjidhje me pajtim rreth këtyre pikave, dhe për t’i shpallur të pranueshme ankesat e tjera.
6. Më 20 shtator 2012, po e njëjta dhomë, me përjashtim të Ganna Yudkivska-s, e cila nuk ka qenë në gjendje të merrte pjesë dhe është zëvendësuar nga Angelika Nußberger, zëvendësgjyqtare (neni 24 § 3 i Rregullores), është tërhequr nga juridiksioni në favor të Dhomës së Madhe, meqenëse asnjë nga palët nuk ka pasur kundërshtim për këtë (nenet 30 i Konventës dhe 72 i Rregullores).
7. Përbërja e Dhomës së Madhe është vendosur në përputhje me nenet 26 §§ 4 e 5 të Konventës dhe 24 të Rregullores, ndërsa gjyqtari Peter Charleton ka vazhduar të marrë pjesë në cilësinë e gjyqtarit ad hoc (nenet 26 § 4 i Konventës dhe 29 § 1 i Rregullores).
8. Si paditësja ashtu edhe Qeveria kanë paraqitur vërejtje plotësuese me shkrim rreth themelit (neni 59 § 1 i Rregullores). Përveç kësaj, vërejtjet e paraqitura pranë dhomës nga Komisioni Irlandez i të Drejtave të Njeriut (Irish Human Rights Commission) dhe Qendra Evropiane për të Drejtën dhe Drejtësinë (European Centre for Law and Justice), të cilët kryetari i dhomës i kishte lejuar të ndërhynin në procedurën me shkrim (nenet 36 § 2 i Konventës dhe 44 § 3 i Rregullores), janë përfshirë në dosjen e Dhomës së Madhe.
9. Një seancë është zhvilluar në publik në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 6 mars 2013 (neni 59 § 3 i Rregullores).
10. Janë paraqitur:
– për Qeverinë
ZtëP. white, agjent,
F. McDonagh, Senior Counsel,
C. Power, Barrister,avokatë,
ZnjatS. Farrel, Zyra e Attorney General,
M. McGarry, Ministria e Arsimit dhe e Formimitkëshilltare;
– për paditësen
ZtëD. Holland, Senior Counsel,
A. Keating, Senior Counsel,avokatë,
E. Cantillon, solicitor,
ZnjaM. Scriven, solicitor,përfaqësues.
E pranishme ishte edhe paditësja.
11. Gjykata ka dëgjuar deklarimet e Zve Holland dhe McDonagh.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
12. Paditësja ka lindur më 1964 është me banim në Cork (Irlandë).
A. Konteksti i çështjes
13. Faktet e përshkruara këtu më poshtë nuk janë objekt i asnjë kundërshtimi midis palëve.
14. Paditësja nisi të shkonte në shkollën kombëtare (National School) të Dunderrow-it më 1968. Shkolla ishte prona, a administruar nga disa kujdestarë, e ipeshkvit katolik të dioqezës së Cork-ut e Ross-it, i cili njihej nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencave (Department of Éducation and Science – “Ministria”) si “Pronari” i atij institucioni. Drejtori (manager) i shkollës, i cili vepronte i ngarkuar me mandat nga ipeshkvi, ishte prifti i famullisë së atyshme (“S.”). Meqenëse ky ishte i moshuar dhe vuante nga disa sëmundje, shkolla drejtohej de facto nga një tjetër prift i atyshëm (“Ó.”), i cili vepronte në emrin dhe në interesin e S. Termi “drejtor” i përdorur këtu më poshtë ka të bëjë me Ó. Si edhe me funksionin drejtues që përmbushte ai. Shkolla kombëtare e Dunderrow-it kishte të punësuar dy mësues, njëri prej të cilëve (“L.H.”), burrë i martuar, ishte përgjegjësi i shkollës. Ajo ishte njëra nga katër shkollat kombëtare që ndodheshin në famullinë e paditëses.
15. Më 1971, e ëma e një nxënësi iu ankua drejtorit se L.H. kishte abuzuar seksualisht me fëmijën e saj. Drejtori nuk ia përcolli ankesën as policisë, as Ministrisë, as kurrfarë autoriteti tjetër të shtetit, dhe nuk e ndoqi fare atë.
16. Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 1973, paditësja iu nënshtrua nja njëzet herë abuzimeve seksuale nga ana e L.H. gjatë orëve të mësimit të muzikës të cilat ky i fundit i jepte në klasën e tij. Në atë kohë, e interesuara dhe prindërit e saj nuk ishin në dijeni të ankesës objekt i së cilës kishte qenë L.H. më 1971.
17. Në shtator 1973, disa prindër të tjerë nxënësish u kallëzuan prindërve të paditëses për ekzistencën e pohimeve të ngjashme në lidhje me L.H. Pas një mbledhjeje prindërish kushtuar kësaj teme dhe të drejtuar nga drejtori, L.H. mori pushim për shkak sëmundjeje. Në shtator 1973, ai dha dorëheqje nga vendi i tij i punës. Pohimet e lartpërmendura nuk iu kallëzuan në atë kohë as policisë, as Ministrisë, as kurrfarë autoriteti tjetër shtetëror. Gjatë një bisede të shkurtër, e ëma e paditëses e pyeti këtë të fundit nëse L.H. e kishte prekur. Në përgjigjen e saj, paditësja foli tërthorazi për një episod me karakter seksual; me sa i kujtohet asaj, biseda u mbyll me aq. Në janar 1974, drejtori e njoftoi Ministrinë se L.H. kishte dhënë dorëheqje dhe emëroi zëvendësuesin e tij. Pak më vonë, L.H. u mor në punë në një shkollë tjetër kombëtare, ku dha mësim deri sa doli në pension më 1995.
18. Ndërmjet viteve 1969 dhe 1973, inspektori i ngarkuar me atë zonë kishte shkuar gjashtë herë në shkollën kombëtare të Dunderrow-it, çka përbënte një numër vizitash mbi mesataren, siç e deklaroi ai më vonë në dëshminë e tij. Me ato raste, ai ishte takuar me L.H. e me S., dhe kishte qenë i pranishëm në mbledhje prindërish të nxënësve rreth çështjes së bashkimit të shkollës së Dunderrow-it me institucione të tjera. Atij nuk i ishte drejtuar asnjë ankesë lidhur me L.H. Ai e kishte inspektuar punën pedagogjike të këtij të fundit dhe e kishte gjykuar atë si të kënaqshme.
19. Paditësja nuk i tregoi abuzimet seksuale. Ndonëse vuante nga probleme të konsiderueshme psikologjike, ajo nuk e bëri lidhjen me keqtrajtimet që kishte pësuar. Më 1996, ajo u kontaktua nga policia, e cila po kryente një hetim rreth një ankese që ishte paraqitur kundër L.H. nga një ish-nxënës i shkollës kombëtare të Dunderrow-it më 1995. Ajo i dha një dëshmi policisë në janar 1997 dhe u përcoll te një shërbim mbështetjeje psikologjike. Gjatë hetimit, u dhanë dëshmi edhe nga disa nxënës të tjerë. L.H. u ngarkua me 386 akuza për abuzime seksuale të cilat mendohej se i kishte kryer gjatë nja dhjetë vjetësh ndaj 21 ish-nxënësve të shkollës. Më 1998, ai e pranoi fajin për 21 akuza të përmbledhura për çdo viktimë dhe u dënua me burgim. Atij iu hoq leja për mësimdhënie nga ministri i Arsimit dhe i Shkencave (“ministri”) në zbatim të nenit 108 të Rregullores për Shkollat Kombëtare të vitit 1965 (National School Rules 1965 – “Rregullorja e vitit 1965”).
20. Diku rreth qershorit të vitit 1998, pas dëshmive të dhëna prej disa viktimash të tjera gjatë procesit penal dhe një trajtimi të mëtejshëm mjekësor, paditësja u bë e vetëdijshme për lidhjen që ekzistonte midis problemeve të saj psikologjike dhe keqtrajtimeve që i ishin shkaktuar nga L.H., dhe i kuptoi përmasat e problemeve të saj.
B. Komisioni për Kompensimin e Dëmeve të Shkaktuara nga Vepra Penale (Criminal Injuries Compensation Tribunal – “CICT”)
21. Në tetor 1998, paditësja iu drejtua CICT-së me një kërkesë për zhdëmtim. Fillimisht, asaj iu dha një shumë prej 44 814,14 eurosh (EUR) nga një gjyqtar i vetëm. Ajo paraqiti një ankim pranë një kolegji të CICT-së. Sipas saj, CICT-ja i dha atëherë asaj mundësinë për të zgjedhur që ose ta vazhdonte ankimin me rrezikun që t’i rrëzohej kërkesa për arsye vonese, ose të pranonte ofertën fillestare që i ishte bërë, të shtuar me një shumë e cila përkonte me disa shpenzime shtesë (pra një shumë prej 53 962,24 EUR, nga të cilat 27 000 EUR në lidhje me dëmin moral). Paditësja pranoi ofertën me një letër të datës 5 nëntor 2002, në të cilën ajo merrte zotimin standard për t’i kthyer CICT-së çfarëdo shume që do t’i jepej përveç kësaj, cilido që të ishte burimi i saj, lidhur me të njëjtin dëm. Zhdëmtimi iu dha asaj me dashamirësi. Meqenëse shteti nuk është kurrë palë në procedurat pranë CICT-së, ai mori dijeni për këtë dhënie vetëm më vonë, gjatë procedurës në High Court (shih këtu më poshtë).
C. Padia civile për zhdëmtim (nr. 1998/10555P)
1. Procedura në High Court
22. Më 29 shtator 1998, paditësja ngriti kundër L.H., kundër ministrit të Arsimit dhe të Shkencave, si edhe kundër Irlandës dhe Attorney General një padi civile ku ajo kërkonte dëmshpërblim për cenim të paprekshmërisë së personit për arsye të dhunimeve, veçanërisht me karakter seksual, që i kishte shkaktuar asaj L.H. Kërkesa e saj e drejtuar kundër tre të paditurve të fundit (“the State Defendants” – “të paditurve shtetërorë”) përmbante tre argumente: a) pakujdesi e shtetit si pasojë e mospërmbushjes së detyrës nga të paditurit shtetërorë lidhur me njohjen, inspektimin dhe mbikëqyrjen e shkollës dhe si pasojë e mungesës së masave dhe të procedurave të përshtatshme për t’i mbrojtur nxënësit nga abuzimet sistematike të kryera nga L.H. që nga viti 1962 dhe për t’u dhënë fund këtyre abuzimeve; b) përgjegjësi e të paditurve shtetërore për veprimet e kryera nga L.H., sidomos meqenëse marrëdhënia midis këtij të fundit dhe shtetit përbënte në të vërtetë një marrëdhënie midis punëdhënësit dhe punëmarrësit, dhe c) përgjegjësi lidhur me të drejtën kushtetuese të paditëses për paprekshmërinë fizike, me detyrimin për të siguruar një arsim fillor që u ngarkohet të paditurve shtetërorë nga neni 42 i Kushtetutës, si edhe me masat e marra për përmbushjen e këtij detyrimi.
23. L.H. nuk u mbrojt dhe, më 8 nëntor 1999, paditësja fitoi një vendim në mungesë kundër tij. Më 24 tetor 2006, High Court caktoi e dha për të interesuarën dëmshpërblimet që duhet të paguante L.H., ose një shumë prej 305 104 EUR, e cila përkonte me 200 000 EUR në lidhje me dëmshpërblimet e përgjithshme, 50 000 EUR në lidhje me dëmshpërblimet e shtuara, 50 000 EUR në lidhje me dëmshpërblimet shembullore dhe 5 104 EUR në lidhje me dëmshpërblimet e posaçme. Paditësja nisi një procedurë përmbarimi. Meqenëse L.H. kishte deklaruar se nuk kishte mjete të mjaftueshme për t’i paguar këto dëmshpërblime, ajo fitoi një urdhër pagese me këste mujore prej 400 EUR. Pagesën e parë të përmuajshme ajo e mori në nëntor 2007 (ajo ka marrë pra 31 000 EUR deri më sot). Ajo vendosi gjithashtu një hipotekë gjyqësore mbi atë pjesë të banesës familjare të L.H. për të cilën ky i fundit ishte pronar.
24. Në kuadrin e padisë civile të drejtuar kundër të paditurve shtetërorë, paditësja kërkoi konsulencë nga profesori Ferguson lidhur me përputhshmërinë e mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve në Irlandë gjatë viteve 1970. Me një letër të datës 14 prill 2003, profesori iu përgjigje se, sikur më 1973 të kishin qenë në fuqi ato protokolle për mbrojtjen e fëmijëve që ekzistonin në vitin 2003, keqtrajtimet e pësuara nga e interesuara do të kishin sjellë me shumë gjasa marrjen e masave me qëllim për ta vendosur atë në kushte të sigurta. Ai shtoi se, për mendimin e tij, ishte e kotë që ajo kauzë të mbrohej duke u bazuar në atë çka shteti duhej të kishte ditur në kohën e ngjarjeve, përderisa ishte e pamundur që në një kontekst të kaluar të merreshin si pikë referimi njohuritë dhe mekanizmat për përcaktimin e përgjegjësive të tanishme.
25. Seanca në High Court në kuadrin e padisë së drejtuar kundër të paditurve shtetërorë filloi më 2 mars 2004. Më 5 mars 2004, ndërkohë që paditësja po parashtronte argumentet e saj, gjyqtari i High Court, në përgjigje të pretendimit të të interesuarës lidhur me mungesën e çdolloj mekanizmi publik që të mundësonte sinjalizimin dhe trajtimin e abuzimeve seksuale në shkollat kombëtare, i drejtoi pyetjen e mëposhtme avokatit të paditëses:
“Çfarë ma provon mua, ose si mund ta kisha kuptuar nga elementet e parashtruara këtu, që sistemi në fuqi ishte një sistem i keq – dhe unë do t’i kthehem përsëri kësaj pike – apo që ekzistonte një sistem tjetër i cili qenkësh dashur të vihej në zbatim, dhe me se mund të kishte pasur ngjashmëri ky sistem tjetër?”
26. Pasi paditësja e parashtroi argumentimin e saj, të paditurit shtetërorë kërkuan të merrej një vendim për çregjistrim, duke çmuar se, për secilin nga të tre argumentet, kërkuesja nuk kishte arritur ta provonte ekzistencën e ndonjë pretendimi të bazuar kundër tyre dhe duke mbrojtur sidomos mendimin se nuk kishte asnjë element që ta provonte pakujdesinë e tyre. Më 9 mars 2004, High Court e pranoi kërkesën e tyre dhe dha një urdhër për pushimin e çështjes (“non‑suit order”). Ajo deklaroi se “kërkuesja nuk kishte arritur të vërtetonte themelësinë e pohimeve të saj për pakujdesi kundër [të paditurve shtetërorë]”. Ajo nuk e bëri dallimin – madje askush nuk e kishte ftuar për ta bërë një gjë të tillë – midis dy degëve të argumentit lidhur me pakujdesinë. Megjithatë, ajo qe e mendimit se ishte provuar ekzistenca e një pretendimi që mund të mbrohej për sa i takonte përgjegjësisë për veprimin e një tjetri dhe përgjegjësisë kushtetuese. Ajo vuri kështu në dukje se të paditurve do t’u kërkohej që të përgjigjeshin rreth këtyre pikave. Procesi përfundoi më 12 mars 2004.
27. Më 20 janar 2006, High Court dha vendimin e saj. Ajo gjykoi që padia nuk ishte e parashkruar. Për më tepër, ajo nxori përfundimin se, duke pasur parasysh marrëdhënien midis shtetit dhe drejtuesve fetarë të shkollave kombëtare, shteti nuk ngarkohej dot me përgjegjësi për arsye të sulmeve seksuale të kryera nga L.H. Ajo nuk i dha përgjigje argumentit të formuluar gojarisht nga avokati i paditëses, sipas të cilit shteti duhej të quhej përgjegjës për mosveprimin e drejtorit të shkollës. Së fundi, ajo çmoi se nuk mund të ngrihej kurrfarë padie për shkelje të ndonjë të drejte kushtetuese, në qoftë se kishte ligje (në rastin konkret, ligjet lidhur me përgjegjësinë civile) të cilat e mbronin të drejtën në fjalë. Paditësja u dënua të paguante kostot dhe shpenzimet në kuadrin e padisë së saj kundër të paditurve shtetërorë.
2. Procedura pranë Gjykatës së Lartë (O’Keeffe v. Hickey [2008] IESC 72)
28. Në maj 2006, paditësja bëri rekurs në Gjykatën e Lartë. Në deklaratën e saj për rekurs, ajo e kundërshtonte përfundimin e High Court lidhur me përgjegjësinë për veprimin e tjetërkujt dhe, për këtë qëllim, ngrinte dy pika: mungesën e arsyetimit të vendimit të ndërmjetëm të dhënë më 9 mars 2004, dhe faktin se High Court, në vendimin e saj, nuk ishte shprehur rreth përgjegjësisë së shtetit për mosveprimin e drejtorit. Gjyqtari Hardiman çmoi se objekti i rekursit kufizohej te përgjegjësia e shtetit për veprimet e L.H. dhe të drejtorit, por ai formuloi në vendimin e tij disa komente rreth dy argumenteve të tjera (lidhur me pakujdesinë e drejtpërdrejtë dhe me përgjegjësinë kushtetuese) që figuronin në kërkesën fillestare të paditëses. Gjyqtari Fennelly qe po ashtu i mendimit se rekursi kishte të bënte vetëm me përgjegjësinë e shtetit për veprimet e L.H., por ai refuzoi të pranonte që shteti ishte përgjegjës për veprimet e drejtorit.
29. Çështja u shqyrtua nga 11 deri më 13 qershor 2006. Me një vendim të datës 19 dhjetor 2008 të dhënë me votat e shumicës (të përbërë nga gjyqtarët Hardiman e Fennelly, me të cilët u bashkuan Chief Justice Murray dhe gjyqtari Denham, ndërsa gjyqtari Geoghegan qe kundërshtues), Gjykata e Lartë e rrëzoi rekursin.
30. Gjyqtari Hardiman e përshkroi me imtësi situatën juridike të shkollave kombëtare. Sipas tij, ndonëse sistemi arsimor i bazuar te shkollat kombëtare mund “të duke[j] mjaft i çuditshëm në kohën e sotme], ai duhej të rivendosej në kontekstin e historisë irlandeze të fillimit të shekullit XIX. Gjyqtari shpjegoi se, pas konfliktit fetar dhe emancipimit të katolikëve më 1829, Kishat disidente dhe Kisha Katolike kishin dashur të garantonin që fëmijët e besimeve të tyre të arsimoheshin në institucione të kontrolluara prej tyre dhe jo nga shteti apo nga Kisha në pushtet (Anglikane). Sipas gjyqtarit, këto Kisha “ia kishin dalë në mënyrë të shkëlqyeshme” që t’ia arrinin këtij qëllimi përderisa, që me krijimin e sistemit irlandez të arsimit kombëtar (të përshkruar përmbledhtas në “letrën e Stanley-t” – Stanley letter – të vitit 1831), autoritetet e shtetit e kishin siguruar financimin e tij “por pa ndërhyrë në drejtimin ose administrimin e institucioneve” që përfitonin prej tij, meqenëse ky funksion i ishte lënë drejtorit, një kleriku vendës. Gjyqtari Hardiman shtoi se financimi i shtetit u jepej në mënyrë të përpjesëtuar të gjitha shkollave fetare; megjithatë, meqenëse popullsia në atë kohë ishte me shumicë shumë të theksuar katolike; Padronët dhe drejtorët e shumicës së këtyre shkollave ishin katolikë.
31. Gjyqtari Hardiman shpjegoi pastaj se në shekullin XIX, ndërkohë që në Evropë vërehej një ndarje përherë e më e theksuar midis Kishës dhe shtetit dhe një humbje e ndikimit të Kishës në ofrimin e shërbimeve publike (sidomos në fushën e arsimit), në Irlandë pozita e Kishës ishte forcuar e rrënjosur “në mënyrë të dukshme”. Ai u bashkua me pikëpamjen e një dëshmitari ekspert i historisë së arsimit në Irlandë, i cili, teksa kishte përshkruar situatën në fillimet e shtetit të lirë të Irlandës më 1922, ishte shprehur si më poshtë lidhur me atë sistem të lartpërmendur “drejtimi”:
“[udhëheqësit katolikë] ishin tejet të qartë dhe (...) të prerë për sa i takonte mënyrës se si duhej të interpretohej situata e shkollave kombëtare në Irlandën e re (...) Këto institucione duhej të ishin shkolla katolike me një drejtori katolike, me mësues katolikë dhe me nxënës katolikë.”
32. Eksperti kishte përshkruar gjithashtu edhe mënyrën se si kishte reaguar Kisha Katolike në vitet 1950 përballë kërkesës së një sindikate mësuesish e cila synonte krijimin e komisioneve vendore që do të ngarkoheshin me mirëmbajtjen dhe me riparimin e godinave shkollore. Kisha Katolike ishte përgjigjur se as që bëhej fjalë të prekej, në çfarëdolloj mënyre, “tradita historike lidhur me të drejtat për drejtimin e shkollave”. Ajo kishte qenë e mendimit se ky propozim i ndrojtur i sindikatës rrezikonte të krijonte një të çarë dhe të shpinte si pasojë në cenime “në aspekte të tjera të autoritetit të drejtorit në fushën e emërimit dhe të heqjes së mësuesve, një element ky sigurisht me rëndësi vendimtare i cili ishte fituar me përpjekje të mëdha të bëra gjatë viteve”. Gjyqtari Hardiman përmendi “dëshirën e zjarrtë” të feve për ta ruajtur rolin e tyre në fushën e arsimit fillor.
33. Sipas gjyqtarit, Kushtetuta e pasqyronte këtë strukturë drejtimi: ai shpjegoi se detyrimi për të “siguruar” një arsim fillor falas që i caktonte shtetit neni 42 § 4 i këtij teksti shprehej me një sistem arsimor të financuar në pjesën më të madhe nga shteti, por të drejtuar tërësisht nga kleri. Për rrjedhojë, Irlanda numëronte rreth 3 000 shkolla kombëtare, të cilat ndodheshin në shumicën e tyre nën autoritetin e Padronëve dhe drejtorëve katolikë, ndërkohë që vetëm një numër i vogël prej tyre kontrolloheshin nga besimet e tjera apo, më rrallë, nga disa grupime jo fetare.
34. Gjyqtari vuri në dukje se, kohët e fundit, dhe pas më shumë se një shekulli e gjysmë funksionimi, sistemi arsimor kishte gjetur më në fund shprehje, të paktën pjesërisht, në një ligj (Ligji i vitit 1998 për arsimin – Education Act 1998), ndërkohë që më parë ai përcaktohej nga Rregullorja e vitit 1965 si edhe nga disa letra, qarkore dhe shkresa ministrore.
35. Për sa u përkiste elementeve që dilnin nga Rregullorja e vitit 1965, gjyqtari Hardiman deklaroi:
“Ministri i vendoste rregullat që duhej të zbatoheshin për shkollat kombëtare, por fjala ishte për rregulla të përgjithshme që nuk e lejonin atë të përcaktonte imtësisht veprimtaritë e secilit mësues. Inspektimet e tij nëpër institucionet shkollore kishin të bënin me shërbimet arsimore, me përjashtim të atyre që kishin të bënin me fushën e mësimit fetar, por nuk shkonin më tej. Ministri (...) nuk e kishte as kontrollin e drejtpërdrejtë mbi shkollat, as pushtetin e madh që rrjedh andej, sepse “ndërmjet shtetit dhe fëmijës ishin të vendosur në mes drejtori ose komiteti apo këshilli drejtues”. Gjithashtu, ai nuk e emëronte as e mbikëqyrte drejtpërdrejt drejtorin ose mësuesin. Faktikisht, aty qe vetë thelbi i “sistemit drejtues”. Tek elementet që i janë parashtruar Gjykatës, unë nuk shoh kurrfarë mundësie që ministri të krijonte një gjykim personal rreth njërit apo tjetrin nga këta dy persona. Për më tepër, prindërit që janë ankuar për të paditurin e parë duket se kanë gjykuar në bazë të intuitës që ai i cili e kishte autoritetin e drejtpërdrejtë për ta pranuar ankimin e tyre ishte drejtori, i emëruar prej klerit e edhe vetë pjesëtar i klerit. Sipas elementeve që i janë parashtruar Gjykatës, asnjë ankesë nuk i është drejtuar ministrit apo ndonjë organi tjetër shtetëror. Çështja është zgjidhur, si të thuash, “brendapërbrenda”, në përputhje me zgjedhjen e autorëve të ankesës. E gjitha kjo ka shpënë më në fund në dorëheqjen e vullnetshme [të L. H.], pastaj në rekrutimin e tij në një shkollë tjetër të rrethinave.
Të gjitha elementet që priren drejt distancimit të ministrit dhe të autoriteteve shtetërore nga drejtimi i shkollës dhe nga kontrolli i ushtruar mbi të paditurin e parë rrjedhin drejtpërdrejt nga sistemi arsimor, i vendosur prej shumë kohësh, i përshkruar këtu më sipër dhe i sanksionuar nga Kushtetuta, në të cilin ministri financon dhe, në njëfarë mase, përcakton rregullat, por në të cilin institucionet arsimore dhe mësuesit mbikëqyren nga drejtorët dhe nga Padronët kishtarë. Gjykatës nuk i kërkohet as ta miratojë, as ta kritikojë këtë sistem; ajo vetëm mund të marrë shënim për ekzistencën tij dhe për faktin se ai ia heq haptazi ministrit dhe shtetit të drejtën e një kontrolli të drejtpërdrejtë mbi institucionet shkollore, mësuesit dhe nxënësit.”
36. Gjyqtari Hardiman vërejti gjithashtu se fakti i abuzimit seksual me një nxënës përbënte vetë mohimin e detyrimeve profesionale të L. H., por ai shtoi se më 1973 “një akt i tillë ishte i rrallë, përbënte një subjekt tabu dhe sigurisht që nuk paraqitej sikur përfaqësonte një rrezik të zakonshëm e të parashikueshëm i cili ishte i pandashëm nga frekuentimi i një institucioni shkollor”. Ai e gjykoi si “për t’u shënuar” faktin që viktima nuk kishte nisur ndjekje penale kundër Padronit, dioqezës ipeshkëv i së cilës ai ishte, pasardhësve ose trashëgimtarëve të tij, kujdestarëve (dhe pronarëve të shkollës) që i administronin pronat e dioqezës së Cork-ut e Ross-it, drejtorit ose trashëgimtarëve apo pasardhësve të këtyre personave.
37. Gjyqtari Hardiman nxori përfundimin se, duke pasur parasysh kriterin që ishte në zbatim në fushën e përgjegjësisë për veprimin e tjetërkujt si edhe modalitetet e sipërpërmendura të kontrollit e të drejtimit të shkollave kombëtare, të paditurit publikë nuk ngarkoheshin dot me përgjegjësi ndaj paditëses për dëmet që i ishin shkaktuar asaj. Ai çmoi veçanërisht se, edhe sikur të zgjidhej forma e përgjithshme e përgjegjësisë për veprimin e tjetërkujt së cilës i ishte referuar paditësja, mungesa e një kontrolli të drejtpërdrejtë të ministrit mbi L. H., përderisa një kontroll i tillë i ishte lënë në dorë që prej shumë kohësh drejtorit dhe Padronit, nuk lejonte kurrfarë vënieje në pikëpyetje të përgjegjësisë së ministrit. Sipas gjyqtarit, lidhja midis L.H. dhe shtetit – të cilët ndodheshin në një “marrëdhënie trekëndëshe me Kishën” – ishte tërësisht sui generis dhe vinte si rezultat i përvojës historike unike të Irlandës. Gjyqtari u shpreh si vijon lidhur me drejtorin:
“ai ishte përfaqësuesi i Padronit, domethënë i një autoriteti të ndryshëm nga ministri, dhe ai nuk e ka informuar këtë të fundit për asnjë vështirësi ose ankesë lidhur me [L. H.]. Ministri është gjendur kështu përpara faktit të kryer për sa i përket dorëheqjes së të interesuarit dhe emërimit të tij në një post si mësues në një institucion tjetër. Ai ishte punonjës jo i ministrit, por i Kishës Katolike, pra me fjalë të tjera i autoritetit në interesin e të cilit ministri ishte mënjanuar nga drejtimi i shkollës.”
38. Gjyqtari Hardiman komentoi dy nga argumentet e paraqitura nga paditësja në kërkesëpadinë e saj fillestare për të cilat ai “nuk kishte dhënë përgjigje”.
39. Për sa i përkiste pretendimit për pakujdesi, të drejtuar kundër shtetit, ai bëri vërejtjet e mëposhtme:
“(...) Ky është një pretendim që do të ishte më e udhës të drejtohej kundër drejtorit. Pikërisht ai e kishte fuqinë për të vendosur masa dhe procedura të përshtatshme për të drejtuar funksionimin e shkollës. Është e vështirë të mundë të ngarkohet me përgjegjësi ministri që nuk u paska “dhënë fund” disa veprimeve për të cilat ai nuk kishte kurrfarë dyshimi se ekzistonin.”
40. Për sa i përket ankesës lidhur me detyrimin që neni 42 i Kushtetutës i caktonte shtetit për të siguruar një arsim fillor si edhe me masat e marra për përmbushjen e këtij detyrimi, gjyqtari Hardiman u shpreh kështu:
“Unë e kam analizuar tashmë përmbajtjen e nenit 42, nga i cili del se ministri, në rastin e kësaj shkolle kombëtare, kufizohej në përkrahjen dhe subvencionimin e nismave të personave privatë e juridikë (në rastin konkret, të Kishës Katolike) duke ua lënë atyre kujdesin për drejtimin e institucionit. Kështu, siç e ka vënë në dukje gjyqtari Kenny në çështjen Crowley v. Ireland ([1980] IR 102), ministrit i është hequr e drejta për çdolloj kontrolli mbi arsimin, për shkak të ndërvendosjes së Padronit dhe të drejtorit të shkollës midis tij dhe fëmijëve. Këta të fundit, dhe sidomos drejtori, kanë kontakte shumë më të ngushta e të shpeshta me shkollën sesa ministri apo Ministria.
Unë çmoj se dispozitat e nenit 42 § 4 nuk mund të interpretohen sikur kërkojnë nga ministri që ky të bëjë më shumë sesa “[të] përpiqet t’i subvencionojë e t’i përkrahë brenda kufijve të arsyeshëm nismat në fushën e arsimit, qofshin ato të marra nga persona privatë apo persona juridikë”, për “[të] sigur[uar] një arsim fillor falas” (...) Për mendimin sim, Kushtetuta parashikon në mënyrë të posaçme, jo një delegim, por një kalim të së drejtës për drejtimin konkret të shkollave në favor të interesave që përfaqësohen nga Padroni dhe drejtori.”
41. Gjyqtari Hardiman përfundoi duke theksuar se në atë vendim asgjë nuk mund të interpretohej si një vënie në pikëpyetje e përgjegjësisë së Kishës dhe se kjo gjë ishte gjithsesi e pamundur, përderisa autoritetet katolike nuk ishin dëgjuar nga Gjykata e Lartë, ngaqë nuk ishin paditur nga paditësja.
42. Gjyqtari Fenelly, i cili bënte pjesë te shumica, vuri fillimisht në dukje se gjëma e shfrytëzimit prej mësuesve të autoritetit të tyre mbi fëmijët për të abuzuar me ta seksualisht e kishte tronditur shoqërinë deri në themelet e saj. Ai vërejti se kishte shumë vite që juridiksionet penale dhe Gjykata e Lartë po shqyrtonin raste dhune seksuale dhe se ishte për t’u habitur që juridiksionit të lartë t’i drejtoheshin për herë të parë për pika lidhur me përgjegjësinë e institucioneve, duke përfshirë edhe atë të shtetit, për abuzime seksuale të kryera nga një mësues mbi nxënës të një shkolle kombëtare.
43. Gjyqtari Fennelly paraqiti gjithashtu me hollësi historikun e shkollave kombëtare dhe përshkroi situatën juridike që vinte si rezultat i tyre, duke saktësuar se ky sistem kishte mbijetuar edhe pas shpalljes së pavarësisë më 1922 e miratimit të Kushtetutës më 1937. Ai i pranoi konkluzionet e ekspertit sipas të cilave nuk bëhej fjalë për një sistem shkollor shtetëror, por më shumë për një “sistem të mbështetur nga shteti”. Ai vuri në dukje se ndarja e pushteteve ishte shumë e qartë midis shtetit (i cili siguronte financimin dhe hartonte programet shkollore) dhe drejtorit (i cili ishte i ngarkuar me drejtimin e përditshëm të institucionit e sidomos me emërimin dhe me shkarkimin e mësuesve), duke shtuar se vullneti i feve të ndryshme për të ruajtur e mbrojtur arsimin e tyre fetar kishte bërë që shkollat kombëtare të zhvilloheshin mbi një bazë fetare.
44. Gjyqtari Fennelly çmoi se inspektorët përbënin një element tejet të rëndësishëm të sistemit të mbikëqyrjes dhe të ruajtjes së normave nga shteti, i cili e lejonte ministrin që të siguronte cilësinë e sistemit. Ai vuri gjithsesi në dukje se sistemi i inspektimit nuk e ndryshonte ndarjen e përgjegjësive ndërmjet shtetit dhe drejtorit, përderisa inspektorët nuk e kishin fuqinë për t’u dhënë mësuesve udhëzime për përmbushjen e funksioneve të tyre. Ai saktësoi se Rregullorja e vitit 1965 e pasqyronte këtë ndarje të përgjegjësive midis Kishës dhe autoriteteve të shtetit. Sipas tij, ndonëse sot shteti po tregohej më ndërhyrës, drejtimi i përditshëm i një institucioni vazhdonte të ishte në dorën e drejtorit. Gjyqtari nxori për rrjedhojë përfundimin se shteti nuk ishte përgjegjës për veprimet e L. H. dhe, për të njëjtat arsye, as për faktin që drejtori nuk ua kishte bërë të ditur autoriteteve publike ankesën e paraqitur kundër L. H. më 1971. Për mendimin e tij, nga një pikëpamje juridike, L. H. ishte i punësuar jo nga shteti, por nga drejtori. Ndonëse duke e pranuar që i interesuari duhej të kishte kualifikimet e përcaktuara nga ministri dhe të respektonte dispozitat e Rregullores së vitit 1965, dhe që shteti i kishte në dorë disa kompetenca disiplinore në këto drejtime, gjyqtari vërejti se L. H. nuk ishte rekrutuar nga shteti e se shteti nuk e kishte fuqinë për ta hequr atë.
45. Duke iu referuar pretendimit të parashtruar nga paditësja në kërkesën e saj të ankimit lidhur me përgjegjësinë e shtetit për arsye të mosnjoftimit nga drejtori të ankesës së vitit 1971, gjyqtari Fennelly doli në përfundimin e mëposhtëm: “për të njëjtën arsye, dhe për aq kohë sa kjo të jetë e nevojshme që të saktësohet, shteti nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi për arsye të mosnjoftimit nga [drejtori] të ankesës së formuluar më 1971. [Drejtori] nuk ishte i punësuari i të paditurit të dytë”.
46. Gjyqtari Geoghegan paraqiti një mendim kundërshtues. Ndonëse duke e pranuar që as Ministria, as inspektorët nuk kishin pasur dijeni për abuzimet, ai vuri në dukje se në praktikë pjesa më e madhe e arsimit fillor në Irlandë merrte trajtën e një ndërmarrjeje të përbashkët midis Kishës dhe shtetit, dhe ai çmoi se, në kontekstin e kësaj marrëdhënieje, ndërmjet shtetit dhe ndodhisë së rrezikut ekzistonte një lidhje e mjaftueshme për ta ngarkuar me përgjegjësi shtetin, duke pasur parasysh sidomos rolin e luajtur nga inspektorët. Ai i shqyrtoi me hollësi deponimet e inspektorëve shkollorë dhe elementet lidhur me rolin e tyre, duke vënë re veçanërisht që, në qoftë se një pohim sulmi seksual ndaj një nxënësi shkolle kombëtare nga ana e një mësuesi gjykohej si i bazuar në përfundim të një hetimi të çelur nga ministria, kjo gjë mund të shpinte ose në heqjen e njohjes, ose në një hetim policor me pasojë heqjen e lejes së mësimdhënies për mësuesin në fjalë, në qoftë se policia e çmonte si të përligjur ankesën.
47. Me një vendim të 9 majit 2009, Gjykata e Lartë e shfuqizoi vendimin që e dënonte paditësen të paguante kostot dhe shpenzimet, duke vënë në dukje se nuk kundërshtohej fakti që bëhej fjalë për një çështje të koklavitur pilot, dhe vendosi që në suazën e padisë civile kundër të paditurve publikë palët do t’i merrnin vetë përsipër shpenzimet e tyre përkatëse.
48. Paditësja u përfaqësua nga një avokat gjatë gjithë procedurës civile, por nuk përfitoi nga ndihma ligjore.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDSHME PËRKATËSE
A. Arsimi fillor në Irlandë
1. Konteksti
49. Gjykata i referohet përshkrimit që i është bërë në çështjen në fjalë historisë dhe strukturës së sistemit të arsimit fillor të bazuar te shkollat kombëtare nga ana e Gjykatës së Lartë (O’Keeffe v. Hickey, [2008] IESC 72), veçanërisht nga gjyqtarët Hardiman e Fennelly (paragrafët 30-35 e 42-44 të mësipërm).
50. Neni 4 i Ligjit të vitit 1926 për shkollimin (School Attendance Act 1926) i detyronte prindërit që t’i shkollonin fëmijët e tyre në një shkollë kombëtare ose në një institucion tjetër shkollor të përshtatshëm, me përjashtim të rasteve kur ata mund të nxirrnin një justifikim të vlefshëm, për shembull që fëmija në fjalë po merrte gjetiu një arsim fillor të kënaqshëm, që ai nuk kishte qasje në një shkollë kombëtare që përputhej me bindjen fetare të prindërve të tij apo që, për çfarëdo arsye tjetër të mjaftueshme, ai nuk mund të shkollohej. Deri më 1969, të gjithë fëmijët ndërmjet moshës gjashtë dhe katërmbëdhjetë vjeç duhet të shkolloheshin me kohë të plotë, kurse më vonë mosha e përfundimit të shkollimit të detyrueshëm u çua në gjashtëmbëdhjetë vjeç. Arsimi fillor në Irlandë është falas për të gjithë që në shekullin XIX.
51. Shumica dërrmuese e fëmijëve në moshë për të ndjekur shkollën fillore shkolloheshin në “shkolla kombëtare”, institucione arsimi fillor të financuara nga shteti e nën administrim fetar. Sipas raporteve të hartuara nga Ministria, ky vend numëronte 3 776 shkolla kombëtare më 1972-1973 dhe 3 688 më 1973-1974. Nga statistikat e Ministrisë për vitin 1973, del se shkollat kombëtare përbënin në atë kohë 94% të institucioneve të arsimit fillor. Sipas një raporti të vitit 1965 me titull “Raport për investimet në fushën e arsimit” (Investment in Education Report), i cili i referohej vitit shkollor 1962-1963, Kisha Katolike administronte 91% të shkollave kombëtare ku ndodheshin 97,6% të nxënësve që frekuentonin këtë lloj institucionesh, ndërsa përqindjet për Kishën Protestante ishin përkatësisht 9% dhe 2,4%. Një raport i hartuar më 2011 nga Ministria tregon se rreth 96% të shkollave fillore vazhdonin të ishin asokohe nën patronazh e administrim fetar (nga të cilat 89,65% nën patronazh e administrim katolik).
52. Më 1963-1964, 192 shkolla fillore me pagesë dhe jo të subvencionuara nga shteti kishin rreth 21 000 fëmijë, ose 4 deri në 4,5% të të gjithë nxënësve të institucioneve të arsimit fillor. Këto institucione ndodheshin kryesisht në zona urbane, dhe një pjesë e madhe e tyre në Dublin.
53. “Raporti i Komisionit të Institucioneve Shkollore rreth kritereve të rishikuara për ngritjen e shkollave të reja fillore” (Commission on School Accommodation’s Report on the Revised Criteria for the Establishment of New Primary Schools), i botuar në shkurt 2011, pohon se, deri në vitet 1970, shkolla kombëtare lokale përbënte për prindërit mundësinë e vetme efektive për të zgjedhur. Ky raport bën fjalë për ekzistencën, në fund të viteve 1970, të disa elementeve që lajmëronin ndryshime, si për shembull krijimi më 1978 i shkollës së parë me fe të ndryshme dhe një rritje e numrit të shkollave ndërfetare ose me fe të ndryshme në gjuhën irlandeze.
2. Kushtetuta e vitit 1937
54. Neni 42, me titull “Arsimi”, shprehet si vijon:
“1. Shteti e pranon që edukues i parë e i natyrshëm i fëmijës është Familja dhe ai e garanton respektimin e së drejtës dhe të detyrës së patjetërsueshme të prindërve për të siguruar, sipas mundësive të tyre, edukimin fetar e moral, intelektual, fizik dhe shoqëror të fëmijëve të tyre.
2. Prindërit janë të lirë ta sigurojnë këtë edukim në vatrën e tyre, në shkolla private ose në shkolla të njohura ose të ngritura nga shteti.
3. 1) Shteti nuk i detyron prindërit që t’i shkollojnë fëmijët e vet kundër ndërgjegjes së tyre apo parapëlqimit të tyre të drejtë nëpër shkolla të ngritura prej tij apo në një kategori të veçantë institucionesh të caktuar prej tij.
2) Megjithatë, si rojtar i së mirës së përbashkët, shteti kërkon që fëmijët të marrin sadopak edukatë morale, intelektuale e shoqërore, e cila është e udhës që t’u përshtatet rrethanave.
4. Shteti siguron një arsim fillor falas dhe përpiqet që t’i subvencionojë e t’i përkrahë brenda kufijve të arsyes nismat në fushën e arsimit, qofshin ato të marra nga persona privatë apo nga persona juridikë. Nëse e lyp e mira publike, ai ngre struktura ose institucione të tjera arsimore, duke respektuar gjithsesi të drejtat e prindërve, veçanërisht në fushën e formimit fetar e moral.
5. Në rastet e jashtëzakonshme kur, për arsye fizike ose morale, prindërit nuk i përmbushin detyrat e veta ndaj fëmijëve të tyre, shteti, si rojtar i së mirës së përbashkët, përpiqet me mjete të përshtatshme që t’u zërë vendin prindërve, por gjithmonë duke respektuar të drejtat e natyrshme dhe të paparashkrueshme të fëmijës.”
55. Në çështjen Mc Eneaney v. the Minister for Education ([1941] IR 430), Gjykata e Lartë vuri në dukje se “që prej më shumë se një shekulli, organizimi i një arsimi fillor falas njihe[j] si një detyrim kombëtar”. Juridiksioni i lartë saktësoi më vonë (Crowley v. Ireland [1980] IR 102) se neni 42 § 4 u jepte fëmijëve të drejtën për të përfituar një arsim fillor falas dhe se termi “siguron” përbënte për shtetin detyrim jo që t’i edukonte vetë fëmijët, por që të kujdesej që atyre t’u jepej një arsim i përshtatshëm.
3. Legjislacioni përkatës
56. Ligji i vitit 1908 për fëmijët (Children Act 1908), i cili përcaktonte se si mbroheshin fëmijët, parashikonte që një fëmijë viktimë abuzimesh në gjirin e familjes së vet mund të merrej në ngarkim nga shteti. Ligji i vitit 1998 për arsimin (Education Act 1998 – “Ligji i vitit 1998”) qe teksti i parë ligjvënës pas krijimit të shtetit irlandez i cili i trajtoi në mënyrë shteruese çështjet e arsimit. Ai i vendosi mbi një bazë ligjore tiparet e sistemit të arsimit fillor (financim publik/administrim privat) pa kryer asnjë ndryshim strukturor themelor për këtë qëllim.
4. Rregullorja e shkollave kombëtare (Rules for National Schools – “Rregullorja e vitit 1965”) dhe qarkoret e zbatueshme ministrore
57. Deri në miratimin e Rregullores së vitit 1965 nga Ministria, për shkollat kombëtare u zbatuan rregullat që ishin në fuqi përpara pavarësisë së vitit 1922. Ndonëse nuk bëhet fjalë as për ndonjë tekst ligjvënës, as për ndonjë dekret vënieje në zbatim, kjo rregullore ka fuqi ligjore dhe është pjesë e regjimit të zbatueshëm ligjor (Brown v. Board of Management of Rathfarnham Parish National School [2006] IEHC 178). Përveç kësaj, Ministria u jepte zgjidhje çështjeve që ishin nën kompetencën e saj me anë shkresash, qarkoresh dhe tekstesh të tjera zyrtare ministrore. Ministri kishte fuqi t’ia hiqte njësimin një shkolle apo lejen për të dhënë mësim një mësuesi në rast mosrespektimi të Rregullores së vitit 1965 (nenet 30 e 108 të Rregullores së lartpërmendur).
5. Drejtorët dhe komitetet drejtuese
58. Neni 15 i Rregullores përcaktonte që drejtori ishte i ngarkuar me administrimin e drejtpërdrejtë të shkollës, me emërimin dhe me shkarkimin e tyre, me kusht që ky i fundit të miratohej nga ministri. Drejtori duhej të shkonte rregullisht në institucionin që drejtonte dhe të kujdesej për respektimin e Rregullores së vitit 1965 (neni 16 i Rregullores së lartpërmendur). Nën autoritetin e drejtorit, kryemësuesi ishte përgjegjës për disiplinën, për mbikëqyrjen e mësuesve të tjerë dhe të të gjitha çështjeve të tjera të lidhura me veprimtaritë shkollore (neni 13 § 4 i Rregullores).
59. Neni 121 i Rregullores së vitit 1965 parashtronte rregullat e sjelljes të cilave duhej t’u përmbaheshin mësuesit. Këta të fundit duhej veçanërisht të vepronin me frymë bindjeje ndaj ligjit, t’u kushtonin vëmendjen më të madhe moralit dhe sjelljes së përgjithshme të nxënësve të tyre, të merrnin të gjitha masat e arsyeshme paraprake për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe të vepronin në përputhje me të gjitha udhëzimet e ligjshme të drejtorit. Neni 130 i Rregullores u kërkonte mësuesve që të kujdeseshin për aftësimin dhe për mirëqenien e përgjithshme të nxënësve të tyre, të silleshin ndaj tyre me butësi e rreptësi, e t’i drejtonin ata përmes ndjenjave dhe arsyes, e jo duke i trajtuar ata me egërsi e vrazhdësi.
60. Shumica e shkollave fillore kanë tani një komitet drejtues. Përpara miratimit të Ligjit të vitit 1998, i cili e sanksionoi ekzistencën e tyre, komitetet drejtuese udhëhiqeshin nga një qarkore ministrore (nr. 16/76). Sipas nenit 14 të Ligjit të vitit 1998, i takon Padronit që, brenda mundësive dhe në përputhje me “parimin e partneritetit”, të krijojë një komitet përbërja e të cilit duhet të caktohet në marrëveshje midis ministrit dhe partnerëve në fushën e arsimit. Komitetet janë persona juridikë me trashëgimi të përhershme, të cilët kanë aftësinë për të vepruar si palë.
6. Inspektorët
61. Rregullorja e vitit 1965 parashikonte për ministrin dhe personat e autorizuar prej tij (inspektorët) mundësinë që të shkonin për inspektime nëpër shkolla kurdo që ta shihnin të nevojshme (neni 11 i Rregullores). Sipas nenit 161, inspektorët ishin nëpunës të ministrit të cilët duhet t’i shpinin deri tek ai informacionet e nevojshme për një administrim efektiv të sistemit. Ata duhej të tërhiqnin vëmendjen e drejtorëve dhe të mësuesve për çdolloj shkelje të rregullave. Ata kishin të drejtën për të komunikuar me drejtorin lidhur me gjendjen e përgjithshme të institucionit “ose me çfarëdo çështje tjetër që kërkonte vëmendjen e drejtorit” si edhe për të “bërë çdolloj sugjerimi që mund ta gjykonin të nevojshëm”. Ata ishin të detyruar që të kryenin vizita të shpeshta pa paralajmërim nëpër shkollat e sektorit të tyre, si edhe vizita të detyrueshme një herë në vit për të vlerësuar punën e mësuesve. Qarkorja nr. 16/59 u jepte inspektorëve udhëzimet e përgjithshme për rolin e tyre në raport me drejtorët e me mësuesit, për modalitetet e inspektimeve të paparalajmëruara e të përgjithshme dhe për vlerësimin e punës së mësuesve.
7. Ankesat
62. Procedurën që duhej ndjekur në rast ankese të drejtuar kundër një mësuesi e përshkruante një direktivë e 6 majit 1970. Ankuesi duhej të informohej se ankesa i përkiste në radhe të parë kompetencës së drejtorit dhe ai ftohej që të saktësonte nëse ia kishte bërë atë të ditur atij. Drejtori duhej të mblidhte vërejtjet e mësuesit për të cilin bëhej fjalë dhe t’ia përcillte ato ministrisë të shoqëruara me mendimin e tij për atë çështje. Vendimin nëse nevojitej apo jo një hetim e merrte pastaj zëvendëskryeinspektori pranë ministrit. Nëse po, inspektori duhej të merrte në pyetje drejtorin, mësuesin dhe prindërit në fjalë. Në qoftë se hetimi dilte në përfundime të pafavorshme për mësuesin, neni 108 i Rregullores së vitit 1965 e autorizonte ministrin të merrte masa kundër të interesuarit atëherë kur ai ishte sjellë keq ose nuk kishte respektuar Rregulloren e vitit 1965. Ministri mund të ngrinte padi kundër mësuesit, t’i hiqte atij lejen për mësimdhënie dhe/ose t’ia pezullonte/ulte pagën. Siç u tregua më lart, drejtori mund ta shkarkonte një mësues, me kusht që të merrej miratimi i ministrit.
B. E drejta penale dhe aspektet e lidhura me të
63. Abuzimi seksual me të mitur ndëshkohej nga nenet 50 e 51 të Ligjit (të ndryshuar) të vitit 1861 për veprat penale ndaj personit (Offences Against the Person Act 1861). Ligji i vitit 1935 për ndryshimin e së drejtës penale (Criminal Law (Amendment) Act 1935) kishte si qëllim futjen e dispozitave të reja mbrojtëse për vajzat e reja dhe ndryshimin e legjislacionit lidhur me veprat penale me karakter seksual. Nenet 1 e 2 të Ligjit të vitit 1935 kanë futur veprën penale të cenimit të nderit ndaj një të miture nën 15 vjeç dhe ndaj një të miture midis 15 e 17 vjeç. Neni 14 i këtij ligji shprehet kështu:
“14. Cilido që akuzohet për cenim të nderit ndaj një personi nën moshën pesëmbëdhjetë vjeç nuk mund të mbrohet duke provuar se ky person e ka pranuar me dëshirën e vet atë veprim që quhet se përbën një cenim të nderit.”
Për rrjedhojë, një e mitur nën dymbëdhjetë vjeç nuk mund të pranojë me dëshirën e vet asnjë trajtë marrëdhënieje trupore dhe çdo marrëdhënie e këtij lloji përbën (dhe përbënte në kohën e ngjarjeve) një krim. Veprime të tilla përbëjnë jo vetëm veprat penale të sipërpërmendura të parashikuara nga ligji, por edhe ushtrime të thjeshta dhune (ordinary assault).
64. E drejta irlandeze nuk parashikonte afat parashkrimi për veprat penale që i nënshtroheshin një procesi përballë një jurie (indictable offences); autori i një vepre të tillë mund të ndiqej pra penalisht deri në fund të jetës së tij.
65. Viktima e një dëmi të shkaktuar nga një krim i dhunshëm mund të kërkojë zhdëmtim në suazën e regjimit të dëmshpërblimit të viktimave të cenimeve ndaj personave që vijnë si pasojë veprash penale (“Scheme of Compensation for Personal Injuries Criminally Inflicted”). Ky regjim administrohet nga Komisioni për Zhdëmtim të Viktimave të Dëmeve si Pasojë e Veprave Penale (Criminal Injuries Compensation Tribunal – “CICT”). Afati i paraqitjes së kërkesës është zakonisht brenda tre muajsh, por ai mund të shtyhet. Ajo mund të apelohet, dhe në këtë rast vendimi merret nga një seksion i CICT-së në përfundim të një seance me dyer të mbyllura. Vendimi i apelit është i formës së prerë. Zhdëmtimi, i cili paguhet falas, mbulon shpenzimet dhe humbjet e viktimës (shpenzime dhe fatura të paguara, pa shërbimet sociale dhe pagat e marra gjatë pushimit për arsye shëndetësore). Deri më 1986, ai përfshinte gjithashtu edhe një shumë për dëmin moral.
C. E drejta civile dhe aspektet e lidhura me të
66. Një kundërvajtje civile (tort) është një veprim i çfarëdoshëm i njeriut që i shkakton një dëm një tjetri, duke e ngarkuar kështu me përgjegjësi për kundërvajtje autorin e tij. Kundërvajtja për pakujdesi kërkon që të provohet se i padituri kishte një detyrë përkujdesjeje (duty of care) ndaj paditësit (çka nënkupton që të vërtetohet se midis palëve ka pasur një marrëdhënie mjaft të afërt në mënyrë që njëra nga palët të kishte detyrim që ta ushtronte përkujdesjen e saj ndaj tjetrës), se ky detyrim nuk është respektuar dhe se ky mosrespektim ka shkaktuar një dëm (shih, për shembull, Beatty v. The Rent Tribunal, [2005] IESC 66).
67. Përgjegjësia për veprimin e tjetërkujt është ngarkimi me përgjegjësi i një personi fizik ose juridik i cili nuk ka shkaktuar asnjë dëm e mund të mos ketë kryer asnjë faj, por i cili ka një marrëdhënie juridike të veçantë me atë që e ka shkaktuar dëmin me fajin e vet, qoftë edhe me pakujdesinë e vet. Marrëdhëniet juridike që mund të ngarkojnë me përgjegjësi për veprimet e tjetërkujt e përfshijnë marrëdhënien midis punëdhënësit e punëmarrësit.
68. Një shtetas mund t’i referohet edhe Kushtetutës kur është fjala për t’i kërkuar dëmshpërblim një individi për shkelje të të drejtave të tij kushtetuese. Në çështjen Meskell v. CIE ([1973] IR 121), Gjykata e Lartë ka deklaruar:
“(...) cilido i cili ka pësuar një dëm për arsye të një shkeljeje ose të një mohimi të një të drejte kushtetuese mund t’u kërkojë zhdëmtim personit ose personave që e kanë shkelur të drejtën në fjalë.”
Gjyqtarët e lejojnë një argument të tillë kushtetutshmërie vetëm kur është fjala për të plotësuar ndonjë mangësi të së drejtës së përgjegjësisë civile.
D. Hetimet publike dhe zhvillimet përkatëse në fushën e mbrojtjes së fëmijëve
1. Raporti Carrigan i vitit 1931
69. I krijuar më 1930, Komisioni Carrigan u ngarkua që të studionte mundësinë për t’i ndryshuar disa ligje penale dhe për të formuluar propozime për të zgjidhur “problemin e prostitucionit të të rinjve”. Ai mbajti shtatëmbëdhjetë seanca, gjatë të cilave dëgjoi njëzet e nëntë dëshmitarë dhe shqyrtoi vërejtje me shkrim.
70. Më 20 gusht 1931, Komisioni i paraqiti ministrit të Drejtësisë një raport përfundimtar. Ai propozonte aty një varg reformash sociale e legjislative lidhur, ndër të tjera, me krimet seksuale ndaj të miturve.
71. Prefekti i policisë qe një dëshmitar me rëndësi përpara Komisionit. Përpara se të paraqitej, ai kishte parashtruar informacione statistikore të nxjerra nga përgjigjet për një qarkore që u kishte dërguar më shumë se 800 postave policore lidhur me procedimet e nisura ndërmjet viteve 1924 e 1930 për vepra penale me karakter seksual, sidomos me ato për “cenim të nderit, marrëdhënie trupore ose përdhunim” të kryera ndaj vajzave nën moshën dhjetë vjeç, midis dhjetë e trembëdhjetë vjeç, midis trembëdhjetë e gjashtëmbëdhjetë vjeç, midis gjashtëmbëdhjetë e tetëmbëdhjetë vjeç, si edhe mbi tetëmbëdhjetë vjeç. Përpara Komisionit, ai bëri një analizë të hollësishme të këtyre statistikave, duke vënë sidomos në dukje se ekzistonte “një numër alarmues, në rritje të vazhdueshme, veprash penale me karakter seksual, veçanërisht sulmesh seksuale ndaj të miturve, vajza e djem, gjashtëmbëdhjetëvjeçarë e më pak, shumica e të cilave kishin të bënin me fëmijë nën dhjetë vjeç”. Ai vuri në dukje se në atë kohë ndiqeshin penalisht më pak se 15% e veprave me karakter seksual, çka shpjegohej sipas tij me arsye të ndryshme, sidomos me ngurrimet e prindërve për t’i ndjekur veprime të tilla.
72. Në përputhje me mendimin e Ministrisë së Drejtësisë (i cili figuron në memorandumin bashkëngjitur me raportin), as elementet e paraqitura përpara Komisionit Carrigan, as raporti i këtij të fundit nuk u botuan. Në mendimin e saj, Ministria e Drejtësisë e kritikonte raportin në disa drejtime dhe çmonte se përfundimi i qartë që mund të nxirrej prej tij ishte se në Irlandë mungonin fare kuptimi i zakonshëm i nderit dhe ndikimi i fesë, dhe se zgjidhjen e vetme e përbënte veprimi i policisë. Raporti shkaktoi një debat në gjirin e komisionit parlamentar. Në veprim u vunë disa rekomandime, sidomos përmes miratimit të Ligjit të vitit 1935 për ndryshimin e së drejtës penale (paragrafi 63 i mësipërm). Dosjet e Ministrisë së Drejtësisë lidhur me këtë raport u botuan më 1991 dhe disa dokumente të tjera arkivore u bënë publike më 1999.
2. Shkollat e riedukimit (reformatory schools) dhe shkollat profesionale për fëmijë jetimë, të braktisur ose të mbetur pa përkrahje (industrial schools)
73. Të ashtuquajturat reformatory schools u shfaqën në vitet 1850, kurse ato industrial schools në vitet 1860. Në shumicën e tyre, ato administroheshin nga autoritetet fetare dhe financoheshin me fonde publike. Në reformatory schools, numri i të cilave mbeti shumë i kufizuar, vendoseshin të rinj rrugaçë. Por nga ana tjetër, kishte nja pesëdhjetë industrial schools. Përveç shërbimeve të arsimimit, këto shkolla u siguronin nxënësve të tyre strehim, veshje e ushqim (neni 44 i Ligjit të vitit 1908 për fëmijët). Nga viti 1936 deri më 1970, në shkolla të tilla u mbyllën gjithsej 170 000 fëmijë e adoleshentë (ose rreth 1,2% të grupmoshës në fjalë). Koha mesatare e qëndrimit aty ishte shtatë vjet. Për shumicën dërrmuese të nxënësve, mbyllja në këto institucione përligjej me gjendjen e tyre në “nevojë”, ndërkohë që dy arsyet e tjera më të zakonshme ishin kryerja e një vepre penale dhe mungesa e zellit në shkollë. Të tria këto arsye nënkuptonin një vendim të gjykatës së rrethit. Neni 7 i Rregullores së vitit 1933 për industrial schools (Rules and Regulations for Industrial Schools 1933) përcaktonte se arsimi i përgjithshëm që u jepej nxënësve duhej të ishte në përputhje me programin e shkollave kombëtare dhe propozonte një numër orësh që duhej t’u kushtoheshin arsimit të përgjithshëm dhe përgatitjes profesionale.
3. Raportet Cussen e Kennedy për reformatory schools e për industrial schools
74. I hartuar me kërkesën e shtetit, Raporti Cussen për funksionimin e reformatory schools e të industrial schools, i botuar më 1936, e la në fuqi sistemin ekzistues me kusht që të viheshin në jetë 51 konkluzione dhe rekomandime. Ky sistem vazhdoi praktikisht pa asnjë ndryshim deri sa u krye një studim i ri lidhur me të njëjtat institucione nga ana e një komisioni të ngritur nga shteti e të kryesuar nga gjyqtari Eileen Kennedy. Raporti Kennedy u botua më 1970, ndërkohë që sistemi i reformatory schools dhe i industrial schools kishte marrë tashmë të tatëpjetën. Ai rekomandonte mbylljen e disa institucioneve dhe bënte disa propozime të tjera për ndryshim. Ai vinte veçanërisht në dukje se sistemi i inspektimit ishte krejtësisht jo efikas dhe kërkonte krijimin e një organi zyrtar të pavarur e të aftë për të garantuar normat më të larta në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe për të ushtruar sidomos një funksion mbikëqyrjeje, si edhe ngritjen e disa mekanizmave të tjera sinjalizues.
4. Raporti Ryan për reformatory schools e për industrial schools
75. Si pasojë e disa zbulimeve e debateve publike në fundin e viteve 1980 dhe në fillim e viteve 1990 lidhur, veçanërisht, me abuzime të kryera nga pjesëtarë të klerit ndaj fëmijëve në Irlandë, kryeministri botoi më 11 maj 1999 deklaratën e mëposhtme me shkrim:
“Në emër të shtetit dhe të të gjithë qytetarëve, qeveria dëshiron t’u kërkojë ndjesë sinqerisht, ndonëse me tepër vonesë, viktimave të keqtrajtimeve ndaj fëmijëve për paaftësinë tonë kolektive për të ndërhyrë, për të zbuluar vuajtjet e tyre dhe për t’u ardhur në ndihmë.”
76. Ligji për krijimin e Komisionit Hetimor për Keqtrajtimet ndaj Fëmijëve (Commission to Inquire into Child Abuse Act 2000) u miratua më 2000, pastaj pësoi ndryshime më 2005. Një komision (i quajtur më vonë me emrin “Komisioni Ryan”) kreu hetime dhe bëri një raport rreth çështjes së abuzimeve (sidomos me karakter seksual) të kryera ndaj fëmijëve kryesisht në reformatory schools e në industrial schools. Meqenëse numri i reformatory schools ishte relativisht i kufizuar, punimet e komisionit u përqendruan kryesisht tek industrial schools.
77. Mandati i Komisionit mbulonte në thelb periudhën nga vitet 1930 deri në vitet 1970, ose intervalin ndërmjet raporteve Cussen e Kennedy. Për nëntë vjet, Komisioni mblodhi elemente që përfshinin një dokumentacion i vëllimshëm, ekspertiza dhe deponimet e rreth 1 500 ankuesve. Dëgjimi i dëshmitarëve që dëshironin nisjen e një hetimi rreth pretendimeve të tyre u bë nga “Komiteti Hetimor” (Investigation Committee), ndërkohë që “Komiteti i Dëshmive në Mirëbesim” (Confidential Committee) u dha dëshmitarëve rastin që të rrëfenin në një rreth të ngushtë për abuzimet që kishin pësuar. Deponimet e bëra përpara këtij komiteti të fundit nuk çuan kështu në veprime gjyqësore.
78. Komisioni e paraqiti raportin e tij (“Raporti Ryan”) në maj 2009. Ai doli në përfundimin se, nëpër reformatory schools e industrial schools, ndaj fëmijëve ishin kryer, në një shkallë të gjerë e në mënyrë kronike, abuzime fizike të rënda, sidomos me karakter seksual, kryesisht nga pjesëtarë të klerit. Sipas raportit, përballë këtyre çështjeve autoritetet fetare ishin përpjekur që t’i mbronin kongregacionet dhe ta zvogëlonin në minimum rrezikun e kallëzimeve publike, por duke e lajmëruar policinë lidhur me ankesat për abuzime seksuale ndaj nxënësve sa herë që për ato ngjarje mund të ngarkoheshin me faj laikë. Në deponimin e tij përpara Komitetit Hetimor, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë kishte shprehur keqardhjen e tij për sa u përkiste rasteve të rënda të mospërmbushjes së detyrimeve të Ministrisë ndaj nxënësve të reformatory schools dhe të industrial schools, duke e pranuar se, sado që pronarët dhe administratorët e këtyre institucioneve ishin persona privatë, nuk mund të mohohej që i takonte shtetit të kujdesej për karakterin e përshtatshëm të përkujdesjeve për fëmijët dhe se Ministria nuk kishte siguruar një nivel të kënaqshëm përkujdesjesh. Ministri kishte shtuar se rrallë kishte qëlluar që ankesat për keqtrajtime ndaj fëmijëve nga ana e pjesëtarëve të klerit të kishin mbërritur deri në ministri, e cila nuk i kishte ndjekur ashtu siç duhej ato raste për të cilat i ishin drejtuar asaj.
79. Kapitulli 14 i vëllimit I (“kapitulli Brander”) kishte të bënte me udhën e përshkuar nga një “autor dhunimesh seksuale e fizike në seri”, një mësues laik i cili kishte punuar në nja dhjetë institucione (nga të cilat gjashtë shkolla kombëtare) për dyzet vjet deri në daljen e tij në pension më 1980, përpara se të shpallej fajtor për shumë akuza abuzimesh seksuale të kryera ndaj nxënësve. Sipas raportit, kur disa prindër ishin përpjekur që ta denonconin sjelljen e tij në vitet 1960 e 1970, i interesuari ishte mbrojtur nga autoritetet e dioqezës dhe të institucioneve në fjalë, e kishte kaluar nga një shkollë në tjetrën. Nga raporti dilte se ankesat i ishin përcjellë policisë në vitet 1960 dhe se Ministria nuk i kishte marrë parasysh ato që i ishin drejtuar asaj në fillim të viteve 1980, çka përbënte, siç e kishte pranuar edhe Ministria përpara Komisionit, një qëndrim të pajustifikueshëm, qoftë edhe me kriteret e asaj kohe. Sipas raportit, hetimi kishte nxjerrë në dritë jo vetëm fakte që në vetvete ishin të neveritshme, por edhe “lehtësinë me të cilën mund të vepronin pretarët seksualë në gjirin e sistemit arsimor të shtetit, pa pasur përse t’i druheshin as kallëzimit, as ndëshkimit”.
80. Vëllimi III përbëhej nga raporti i Komitetit të Dëshmive në Mirëbesim, i cili kishte dëgjuar deklarimet e 1 090 personave lidhur me abuzimet e kryera ndërmjet viteve 1930 e 1990 në 216 institucione, kryesisht reformatory schools e industrial schools, por edhe në disa shkolla kombëtare. Komisioni kishte dëgjuar 82 rrëfime, të bëra nga 70 dëshmitarë, për keqtrajtime që kishin ndodhur në 73 institucione arsimi fillor e të ulët; në shumicën e rasteve, fjala ishte për fëmijë që ishin larguar nga shkolla përpara ose gjatë viteve 1970. Sipas raportit, më shumë se gjysma e dëshmitarëve kishin folur për dhunime me natyrë seksuale, ankesa u ishin paraqitur që në atë kohë veçanërisht policisë e ministrisë, dhe disa dëshmitarë kishin theksuar karakterin publik, e që nuk linte pra vend për dyshime, të abuzimeve seksuale.
81. Kapitulli 1 i vëllimit IV kishte të bënte me Ministrinë, e cila, sipas Ligjit të vitit 1908 për fëmijët, ishte juridikisht përgjegjëse për fëmijët e dërguar në reformatory schools dhe në industrial schools. Komisioni dilte në përfundimin se pamjaftueshmëria e informacioneve që kishte Ministria ishte pasojë e karakterit të papërshtatshëm të sistemit të inspektimit të ngritur prej saj. Ai shtonte se funksionarët e Ministrisë ishin të vetëdijshëm për ekzistencën e abuzimeve dhe se ata duhej t’i kishin përdorur më shumë, në interesin e fëmijëve, kompetencat e gjera juridike që ata kishin ndaj institucioneve në fjalë, sidomos atë për shkarkimin e drejtorëve. Mirëpo, sipas Komisionit, Ministria nuk ishte përpjekur të diktonte as ndryshimin më të vogël për ta përmirësuar fatin e nxënësve të këtyre shkollave. Ai u shpreh si vijon lidhur me këtë çështje:
“[m]adje (...) mangësitë e Ministrisë në këtë drejtim mund të shihen si shenja e një pranimi të heshtur të sundimit dhe të kontrollit të kongregacioneve mbi sistemin nga ana e shtetit. Sekretari i përgjithshëm [ka deklaruar] se Ministria kishte treguar një “nderim të skajshëm” ndaj kongregacioneve fetare. Ky qëndrim i përulur ka penguar çdolloj ndryshimi dhe është dashur një ndërhyrje e pavarur, e materializuar me botimin e Raportit Kennedy më 1970, për të arritur në çrrënjosjen e një sistemi të perënduar.”
82. Vëllimi V përmbante konkretisht kopje ekspertizash. Disa ankues i kishin kërkuar një profesori historie të Irlandës, profesorit Ferriter, që t’i përgjigjej argumentit sipas të cilit shteti qenkësh informuar në nivel politik për rastet e abuzimeve fizike ndaj të miturve vetëm në vitet 1970 dhe për rastet e abuzimeve seksuale ndaj të miturve vetëm në vitet 1980. Komisioni e mori studimin e profesorit Ferriter për llogarinë e tij dhe e vendosi atë në aneksin e raportit të vet. Profesori Ferriter i vendoste ngjarjet e përmendura përpara Komisionit Ryan në kontekstin e tyre historik. Ai e cilësonte Raportin Carrigan (të vitit 1931) si “etapë të shënuar” në grumbullimin e informacioneve mbi përqindjen e ndjekjes penale të veprave me karakter seksual në Irlandë. Ai parashtronte dhe analizonte edhe të dhëna statistikore rreth këtyre ndjekjeve, të nxjerra nga arkivat e juridiksioneve penale, lidhur me periudhën nga vitet 1930 deri në vitet 1960. Prej tyre dilte që policia i kishte ndjekur me vendosmëri pedofilët, por që, meqenëse në realitet shumica e veprave penale me karakter seksual nuk ishin sinjalizuar, ato kishin përbërë sipas të gjitha gjasave një problem të rëndë përgjatë gjithë shekullit XX në Irlandë. Profesori Ferriter vinte pastaj në dukje se arkivat e juridiksioneve penale linin të kuptohej “një shkallë e lartë dhe e vazhdueshme veprash penale me karakter seksual që synonin fëmijë në moshë të re (djem e vajza)”. Sipas tij, ndonëse në shumicën e rasteve mediet nuk kishin raportuar për këto çështje, prapëseprapë policia kishte qenë në atë kohë e mirinformuar për ekzistencën e këtyre veprave penale.
83. Në vëllimin V ndodhej në aneks një raport kërkimor që ishte hartuar nga Z. Rollinson, me kërkesën e vetë Komisionit Ryan, e që titullohej “Mbrojtja e fëmijëve nëpër konvikte në Angli, 1948‑1975: Histori e përshkrim” (Residential Child Care in England, 1948-1975: A History And Report), i cili përshkruante historikun e sistemit të konvikteve në Angli gjatë periudhës nga viti 1948 deri më 1975. Në kapitullin me titull “Abuzimet”, Z. Rollinson vërente se përpara mesit të viteve 1980 “profesionistët dhe të rriturit ishin pak të vetëdijshëm për nocionin ose mundësinë e abuzimeve” dhe se ishte “thelbësore që të shmangeshin kurthi dhe teprimet e mundshme” të gjykimit të kësaj periudhe si të perënduar me kutin e normave të tanishme.
84. Raporti Ryan përmbante disa rekomandime. Sipas autorëve, para së gjithash kishte rëndësi që shteti ta pranonte se keqtrajtimet ndaj fëmijëve kishin ardhur si rezultat i mangësive të sistemeve dhe të politikave, të instancave udhëheqëse e administruese, si edhe të personelit drejtues nëpër reformatory schools e industrial schools. Një varg tjetër rekomandimesh ishin formuluar lidhur me hartimin dhe mbikëqyrjen e politikave dhe shërbimeve të shtetit për fëmijët, me mekanizmat e përcaktimit të përgjegjësive dhe me nevojën e inspektimeve të përshtatshme e të pavarura të të gjitha shërbimeve për fëmijët, si edhe të vënies së plotë në jetë të raportit me titull “Në radhë të parë fëmijët: vija udhëheqëse kombëtare për mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve” (Children First : National Guidelines for the Protection and Welfare of Children – paragrafi 89 i mëposhtëm).
5. Raportet e mëvonshme lidhur me abuzimet seksuale
85. Mënyra se si reagoi Kisha Katolike ndaj pretendimeve për abuzime seksuale të kryera ndaj fëmijëve nga pjesëtarë të klerit u kritikua në një varg hetimesh e raportesh publike të mëvonshme.
86. Raporti Ferns i vitit 2005 numëronte më shumë se njëqind ankesa për abuzime seksuale të paraqitura ndërmjet viteve 1962 e 2002 kundër njëzet e një priftërinjve të dioqezës së Fernsit. Ai e kritikonte qëndrimin e Kishës, por përmendte vetëm pak ankesa të paraqitura pranë autoriteteve të shtetit përpara ose gjatë viteve 1970.
87. Raporti Murphy i vitit 2009 analizonte mënyrën se si Kisha dhe shteti i kishin trajtuar ankesat për dhunime ndaj fëmijëve të paraqitura midis viteve 1975 e 2004 kundër disa pjesëtarëve të klerit të arkidioqezës së Dublinit. Ai vinte re se abuzimet seksuale të kryera nga klerikë ndaj fëmijëve kishin qenë të zakonshme gjatë periudhës së marrë në studim. Ai e cilësonte si të jashtëzakonshme vonesën që kishte procesi ligjvënës deri në fillimin e viteve 1990 ndërkohë që nevoja e një legjislacioni në fushën e mbrojtjes së fëmijëve ishte pranuar qartësisht që në fillimin e viteve 1970.
88. Më 1996, ipeshkvijtë irlandezë miratuan një dokument reference me titull “Dhunimet seksuale ndaj fëmijëve: parime udhëheqëse për një përgjigje të Kishës” (Child Sexual Abuse: Framework for a Church Response). Raporti Cloyne i vitit 2011 shqyrtonte mënyrën se si kishin reaguar autoritetet e Kishës katolike ndaj ankesave për abuzime seksuale të kryera nga pjesëtarë të klerit, të cilat u ishin paraqitur atyre pas miratimit të këtij dokumenti reference, në një kohë pra kur mund të mendohej me të drejtë se ato ishin të vetëdijshme për përmasat e këtij problemi dhe për mënyrën më të përshtatshme për t’i dhënë atij përgjigje. Raporti ishte tejet kritik ndaj qëndrimit të Kishës, edhe gjatë periudhës pas botimit të dokumentit të lartpërmendur.
6. Zhvillime të tjera në fushën e mbrojtjes së fëmijëve
89. Në nëntor 1991, Ministria nxori disa direktiva lidhur me procedurat që duhej të ndiqeshin për trajtimin e pohimeve ose dyshimeve për keqtrajtime fëmijësh (qarkorja nr. 16/91). Këto direktiva u përditësuan më 2001 (nën titullin “Mbrojtja e fëmijëve – Direktiva dhe procedura” (Child Protection – Guidelines and Procedures), pastaj më 2006 (në dokumentin me titull “Direktiva dhe procedura në fushën e mbrojtjes së fëmijëve në institucionet e arsimit fillor” (Child Protection Guidelines and Procedures for Primary Schools). Më 1999, shteti miratoi mekanizmin e parë të përgjithshëm për mbrojtjen e fëmijëve (“Në radhë të parë fëmijët: vija udhëheqëse kombëtare për mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve” – Children First: National Guidelines for the Protection and Welfare of Children). Këto direktiva duhej ta lehtësonin zbulimin dhe sinjalizimin e abuzimeve që kishin të bënin me fëmijë si edhe t’i përmirësonin praktikat profesionale në organizatat që u ofronin shërbime fëmijëve dhe familjeve. Që prej asaj kohe, ato kanë qenë objekt për disa përditësime, i fundit prej të cilave i përket vitit 2011. Qeveria ka botuar më 2012 projektligjin “Në radhë të parë fëmijët” me qëllim që të garantojë zbatimin e tyre efektiv.
90. Më 2002 është krijuar funksioni i ombudsmanit për fëmijët (Ombudsman for Children), që mendohet se e sensibilizon publikun e gjerë për të drejtat e fëmijëve. Kanë lindur disa vepra të reja penale specifike, sidomos ajo e vënies në rrezik të një fëmije nga pakujdesia (neni 176 i Ligjit të vitit 2006 për drejtësinë penale – Criminal Justice Act 2006). Janë krijuar regjime të ndryshme zhdëmtimi, kryesisht në favor të viktimave të abuzimeve të kryera në reformatory schools dhe në industrial schools. Referendumi i vitit 2012 për “të drejtat e fëmijëve” ka çuar në miratimin e amendamentit 31 të Kushtetutës, i cili parashikon që në nenin 42 të kësaj të fundit të futen disa dispozita lidhur me të drejtat dhe me mbrojtjen e fëmijëve. Për arsye të disa procedurave të papërfunduara, ky amendament nuk ka hyrë ende në fuqi.
III. E DREJTA DHE PRAKTIKA NDËRKOMBËTARE PËRKATËSE
A. Këshilli i Evropës
91. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (“APKE”) i ka formuluar rekomandimet e saj të para lidhur me mbrojtjen e fëmijëve në vitin 1969, në Rekomandimin e saj 561 me titull “Mbrojtja e të miturve nga keqtrajtimet”. Ndonëse ky tekst ka të bëjë në thelb me dhunimet e fëmijëve në gjirin e familjes së tyre, APKE-ja i fton aty shtetet që “të marrin masat e nevojshme në mënyrë që ministritë dhe shërbimet kompetente të jenë të vetëdijshme për seriozitetin dhe për përmasat e problemit të fëmijëve të keqtrajtuar fizikisht ose moralisht” e, përveç kësaj, t’u kërkojnë shërbimeve zyrtare përgjegjëse për fatin e fëmijëve të keqtrajtuar që ta bashkërendojnë, me sa të jetë e mundur, veprimtarinë e tyre me punën e ndërmarrë në këtë fushë nga disa organizata private”. Rekomandimi nr. R(79)17 i Komitetit të Ministrave për mbrojtjen e fëmijëve kundër keqtrajtimeve e plotëson atë të APKE-së dhe u kërkon qeverive që të marrin çdolloj mase të dobishme për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve të keqtrajtuar, “kur këto veprime apo mangësi shkaktohen nga persona që kanë kujdestarinë e fëmijës apo nën autoritetin e të cilëve ai është vendosur në mënyrë të përkohshme ose të përhershme”.
92. Karta Sociale Evropiane e vitit 1961 përcakton në nenin 7 të saj se fëmijët dhe adoleshentët kanë të drejtë për një mbrojtje të posaçme nga rreziqet fizike dhe morale që paraqiten për ta.
B. Kombet e Bashkuara
93. E miratuar nga Lidhja e Kombeve më 1924, Deklarata e Gjenevës për të Drejtat e Fëmijëve, e cila sanksionon pesë parime mbrojtjeje, thekson në hyrjen e saj se njerëzimi duhet t’i japë fëmijës “më të mirën e tij”. Më 1959, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi me votim njëzëri Deklaratën e të Drejtave të Fëmijës, e cila e zgjeronte rrezen e veprimit të Deklaratës së vitit 1924. Deklarata e vitit 1959 parashtron në hyrjen e saj parimin e përgjithshëm sipas të cilit fëmija, për arsye të mungesës së pjekurisë së tij fizike dhe mendore, ka nevojë për një mbrojtje të posaçme dhe përkujdesje të posaçme. Parimi nr. 2 përcakton se fëmija duhet të gëzojë një mbrojtje të posaçme dhe se atij duhet t’i krijohen mundësi dhe lehtësi, me qëllim që të jetë në gjendje për t’u zhvilluar në një mënyrë të shëndetshme e normale në rrafshin fizik, mendor, moral, shpirtëro e shoqëror, në kushte lirie dhe dinjiteti, ku konsiderata përcaktuese duhet të jetë interesi më i lartë i fëmijës. Sipas parimit 8, fëmija duhet që, në të gjitha rrethanat, të jetë ndër të parët të cilit t’i jepet mbrojtje e ndihmë. Sipas parimit 9, fëmija duhet të mbrohet nga çdo trajtë pakujdesie, egërsie dhe shfrytëzimi.
94. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut (DUDNj) e vitit 1948 përmban dy dispozita që u referohen shprehimisht fëmijëve, konkretisht nenin 25, i cili parashikon për ta një ndihmë e një shërbim të posaçëm, dhe nenin 26, i cili sanksionon të drejtën për arsim fillor falas. Ajo i përmend një për një të gjitha të drejtat e njeriut që gjejnë zbatim për të gjitha qeniet njerëzore, veçanërisht të drejtën për të mos iu nënshtruar trajtimeve mizore, çnjerëzore ose poshtëruese.
95. Në bazë të nenit 24 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (PNDCP), “çdo fëmijë, pa kurrfarë diskriminimi (...), ka të drejtë, nga ana e familjes së tij, e shoqërisë dhe e shtetit, për masat mbrojtëse që kërkon gjendja e tij prej të mituri”. Neni 2 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Shoqërore dhe Kulturore (PNDEShK) i detyron shtetet që të veprojnë, edhe përmes miratimit të masave legjislative, me qëllim që të sigurojnë në mënyrë progresive ushtrimin e plotë të të drejtave të njohura në Pakt. Neni 10 i këtij pakti përcakton se duhet të merren masa të posaçme mbrojtjeje dhe ndihme në favor të të gjithë fëmijëve dhe adoleshentëve. Neni 12 parashikon për çdo person të drejtën “për të gëzuar një gjendje shëndeti fizik e mendor sa më të mirë që ai është i aftë të mbërrijë” dhe përfshin një dispozitë të posaçme e cila i detyron shtetet që të marrin masat e nevojshme për të siguruar zhvillimin e shëndetshëm të fëmijës. Të dyja paktet janë çelur për nënshkrim nga ana e shteteve më 1966; ato janë nënshkruar nga Irlanda përkatësisht më 1973 dhe më 1989.
96. Hyrja e Konventës Ndërkombëtare të vitit 1989 për të Drejtat e Fëmijës u referohet veçanërisht dispozitave të ndryshme në fushën e mbrojtjes së fëmijëve të cilat figurojnë në deklaratat e viteve 1924 e 1959, në DUDNj dhe në PNDCP. Sipas nenit 19 të kësaj konvente, shtetet palë duhet ta mbrojnë fëmijën kundër çdolloj forme keqtrajtimi nga prindërit e tij ose nga cilido person tjetër të cilit ai i është besuar, si edhe të vendosin programe shoqërore të përshtatshme për parandalimin e abuzimeve dhe trajtimin e viktimave.
LIGJI
97. Paditësja mbron mendimin se shteti nuk e ka mbrojtur nga abuzimet seksuale që ka pësuar prej një mësuesi brenda mureve të shkollës së saj kombëtare dhe shton se nuk kishte pasur asnjë mundësi ankimi efektiv kundër shtetit për këtë qëllim. Ajo i referohet nenit 3, të marrë veçmas dhe i bashkuar me nenin 13, si edhe nenit 8 e nenit 2 të Protokollit nr. 1, të marrë veç e veç dhe të bashkuar me nenin 14 të Konventës.
(...)
II. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 3 TË KONVENTËS NË ANËN E TIJ MATERIALE
122. Neni 3 i Konventës lexohet kështu:
“Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, as dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.”
A. Tezat e palëve
1. Paditësja
123. Paditësja ankohet në thelb se shteti, në shkelje të detyrimit pozitiv që i bie atij sipas nenit 3, nuk ka krijuar një suazë të përshtatshme juridike e cila do t’i kishte lejuar atij që t’i mbronte fëmijët nga abuzimet seksuale – që përbënin një rrezik për të cilin ai ishte ose duhej të ishte në dijeni – dhe e cila do ta kishte kompensuar mospjesëmarrjen e tij në administrimin e shkollave kombëtare. Ajo vë në dukje se për aktorët e përfshirë në këtë çështje nuk kishte as detyrime juridike, as udhëzime të qarta ose të përshtatshme, të tilla që të garantonin se ata do ta mbikëqyrnin situatën e fëmijëve dhe do t’i trajtonin ankesat eventuale për keqtrajtime – veçanërisht për abuzime seksuale – me efektivitetin e duhur. Ajo çmon se nenet 3 dhe 8, si edhe neni 2 i Protokollit nr. 1, të marrë së bashku, e shtrëngojnë shtetin që ta organizojë sistemin e vet arsimor në mënyrë të tillë që ta përmbushë detyrimin e tij për t’i mbrojtur fëmijët, detyrim vënia në jetë e të cilit u lehtësuaka nga neni 42 i Kushtetutës por që nuk u diktuaka nga kjo dispozitë.
124. Duke përmendur çështjen McEneaney e Crowley (paragrafi 55 i mësipërm), paditësja vëren se në Irlandë, ashtu si në çdo demokraci të përparuar, organizimi i arsimit është një detyrim kombëtar. Ajo mbron mendimin se neni 42 i Kushtetutës i lejonte shtetit që ta siguronte vetë arsimin dhe se prandaj ai paskësh mundur dhe qenkësh dashur të zgjidhte që të vepronte ashtu. Ajo është madje e mendimit se, edhe sikur shteti t’ua kishte ngarkuar këtë detyrim subjekteve private, modeli i shkollave kombëtare paskësh mundur dhe qenkësh dashur të shoqërohej me më shumë rregulla për mbrojtjen e fëmijëve. Duke iu referuar çështjes Costello-Roberts k. Mbretërisë së Bashkuar, ajo argumenton se, sidoqoftë, një shtet nuk mund t’u shmanget detyrimeve të tij për mbrojtje që rrjedhin nga Konventa duke ia deleguar përgjegjësitë e tij në fushën e arsimit fillor një subjekti privat. Së fundi, ajo shton se shteti nuk mund të shfajësohet duke thënë se ajo kishte edhe mundësi të tjera zgjedhjeje për t’u arsimuar, çka sipas saj është gjithsesi e pasaktë.
125. Paditësja u referohet disa dokumenteve, veçanërisht raporteve Carrigan e Ryan, për të mbështetur pretendimin e saj sipas të cilit shteti kishte ose duhej të kishte pasur dijeni për rrezikun e abuzimeve lidhur me nxënësit e shkollave kombëtare. Ajo thekson se Raporti Ryan është botuar pas nëntë vitesh hetim dhe pas shpalljes së vendimit të Gjykatës së Lartë në suazën e padisë së nisur prej saj në rrugë civile. Ajo mbron përveç kësaj mendimin se shteti ishte ose duhej të ishte i vetëdijshëm për mungesën e masave të përshtatshme mbrojtëse për të shmangur abuzime të tilla, sidomos të mekanizmave të duhur të mbikëqyrjes dhe të sinjalizimit. Me pak fjalë, ajo është e mendimit se kryerja e abuzimeve nxënësve të shkolluar në shkollat kombëtare është lehtësuar nga bashkëveprimi i modelit të arsimit fillor të bazuar te shkollat kombëtare me mungesën e masave efektive që do të kishin mundur t’i parandalonin dhe t’i zbulonin abuzimet seksuale.
126. Paditësja çmon se masat e përmendura nga Qeveria ishin të pamjaftueshme dhe se në fakt ato e vërtetojnë mungesën e kontrollit për të cilën ajo e qorton shtetin. Ajo shpjegon se Rregullorja e vitit 1965 dhe qarkoret nuk ishin as ligje, as tekste për vënie në zbatim, se ato nuk kishin një bazë të caktuar ligjore, që ato ishin aq të shumta e me tepri saqë ishte e vështirë të përcaktoje se deri në çfarë mase ato ishin ende në fuqi dhe që ato nuk ishin lehtësisht të kuptueshme për publikun. Paditësja shton se këto instrumente nuk përmbanin kurrfarë referimi ndaj abuzimeve seksuale dhe se ato nuk parashikonin në këtë drejtim jo vetëm asnjë procedurë për paraqitje ankese, por edhe asnjë detyrim shtrëngues mbikëqyrjeje, hetimi apo sinjalizimi për ndonjë autoritet shtetëror. Për mendimin e saj, ato ishin pra gjithsesi të paefektshme. Paditësja vë në dukje nga ana tjetër se, për prindërit, personi pikë referimi mbetej drejtori. Ajo mbron mendimin se pak rëndësi ka që të bëhet dallimi nëse shteti e paska ndjekur ose jo një ankesë që i qenkësh paraqitur, përderisa, sipas saj, mungesa e çdolloj mekanizmi zbulimi e sinjalizimi bënte që ankesat të mos i përcilleshin fare shtetit.
127. Paditësja është madje e mendimit se sistemi i inspektimit paskësh mundur t’i mbronte fëmijët nga abuzimet, por se nuk ka ndodhur ashtu. Sipas saj, ky sistem synonte që të garantonte cilësinë e arsimit, por jo që të kontrollonte sjelljen e mësuesve apo që të mblidhte ankesat lidhur me abuzime eventuale. Për rrjedhojë, prindërit qenkëshin ndier të detyruar që t’ia drejtonin ankesat e tyre drejtorit, çka direktiva e 6 majit 1970 ua paskësh urdhëruar atyre për më tepër që ta bënin . Paditësja vë në dukje se prindërit nuk kishin asnjë kontakt me inspektorët, as teorikisht, as praktikisht, dhe se asnjëra nga vijat udhëheqëse apo nga qarkoret e zbatueshme nuk i përmendte kontakte të tilla. Për mendimin e saj, mangësitë e sistemit të inspektimit dalin veçanërisht nga Raporti Ryan, nga një krahasim me direktivat e hollësishme në fushën e mbrojtjes së fëmijëve të miratuara që prej asaj kohe, si edhe nga faktet e çështjes në fjalë. Për sa i përket kësaj pike të fundit, që nga mesi i viteve 1960, qenkëshin regjistruar rreth 400 akuza për abuzime të kryera nga L.H. në shkollën kombëtare të Dunderrow-it; asnjë nga këto abuzime nuk i qenkësh sinjalizuar ndonjë inspektori.
128. Në mënyrë më të përgjithshme, paditësja nënvizon atë çka ajo e cilëson si kundërshti tronditëse ndërmjet përpjekjeve që shteti paska bërë për t’i bindur juridiksionet e brendshme se ai nuk ushtronte asnjë kontroll, se ai nuk kishte asnjë informacion, se ai nuk luante asnjë rol lidhur me administrimin e shkollave ose me sjelljen a me prirjet e mbrapshta të mësuesve dhe se ata që ishin plotësisht përgjegjës në këtë drejtim ishin Padronët/drejtorët, nga njëra anë, dhe qëndrimit të qeverisë së paditur duke pohuar përpara Gjykatës se ekzistuaka një kuadër i qartë juridik mbrojtjeje prej shtetit, nga ana tjetër.
129. Së fundi, duke iu referuar kriterit të lidhjes shkak dhe pasojë i cili qenkësh parashtruar në çështjen E. me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar (e cituar më lart, §§ 98–100), paditësja mbron mendimin se ekzistenca e një mekanizmi efektiv sinjalizimi do të kishte shkaktuar një përcjellje të ankesës së vitit 1971; sipas saj, do të kishte pasur kështu së paku një “shans real” që të ishin shmangur abuzimet e vitit 1973.
2. Qeveria
130. Qeveria pajtohet me përshkrimin e bërë nga Gjykata e Lartë për zhvillimin e për strukturën e sistemit irlandez të arsimit fillor, duke saktësuar se ky sistem ekzistonte tashmë në çastin e krijimit të shtetit irlandez më 1922 dhe se ai është sanksionuar nga neni 42 i Kushtetutës irlandeze, i miratuar me referendum më 1937. Ajo shpjegon se shkolla kombëtare e Dunderrow-it mbahej, administrohej e drejtohej pra nga Kisha Katolike dhe përfaqësuesit e saj. Ajo çmon se L.H. nuk ishte i punësuari i shtetit por ai i drejtorit, i cili e drejtonte shkollën në emër të Padronit. Sipas saj, aty nuk ishte fjala për një dallim të thjeshtë teknik e burokratik, por pikërisht për një “kalim” real të së drejtës së pronësisë dhe të administrimit të shkollave tek instancat fetare. Duke pohuar se kjo situatë u leverdis jo vetëm fesë sunduese por edhe feve që përbëjnë pakica dhe se ajo përkon me vullnetin e popullit irlandez, Qeveria është e mendimit se nuk i takon Gjykatës që t’i riorganizojë ato marrëdhënie që qëndrojnë në themel të një pjese të rëndësishme të sistemit të arsimit fillor irlandez. Për mendimin e saj, ideja se, në një demokraci të përparuar, arsimi fillor përbën një sipërmarrje kombëtare e cila duhet të administrohet tërësisht nga shteti bën pjesë në një perspektivë ideologjike të veçantë që nuk është e thënë të përqafohet nga të gjitha shtetet kontraktuese e që me siguri nuk përqafohet nga Irlanda. Qeveria shton se nuk ka asnjë legjislacion që ta detyrojë një nxënës që të shkojë në një shkollë kombëtare, meqenëse sipas saj ligji parashikon edhe mundësi të tjera shkollimi.
131. Për sa i përket themelit të një pretendimi të nxjerrë nga një mospërmbushje ndaj një detyrimi për mbrojtje i cili rrjedh nga neni 3, Qeveria mbron mendimin se shteti nuk ngarkohet dot me përgjegjësi. Sipas saj, kjo çështje nuk krahasohet dot me çështjen Van der Mussele k. Belgjikës (23 nëntor 1983, seria A nr. 70), sepse në këtë çështje nuk bëhet fjalë për ndonjë “delegim” detyrimesh, përderisa neni 2 i Protokollit nr. 1 thjesht u kërkon shteteve që të kujdesen që askujt të mos i mohohet e drejta për arsimim. Qeveria çmon se rasti i çështjes në fjalë ka dallim edhe me çështjen Costello-Roberts ngaqë ndëshkimet trupore në atë çështje ishin pjesë përbërëse e sistemit disiplinor dhe i takonin në këtë mënyrë fushës së arsimit, ndërsa, sipas saj, sjellja e L.H. në çështjen në fjalë përbën “vetë mohimin” e rolit të një mësuesi. Përgjegjësia e shtetit për vepra penale që nuk kanë lidhje me detyrën e tij për të njohur të drejtat e përkufizuara në Konventë u kufizuaka kështu vetëm me një detyrim operativ mbrojtjeje (Osman k. Mbretërisë së Bashkuar, 28 tetor 1998, Recueil des arrêts et décisions 1998‑VIII); mirëpo asgjë nuk treguaka që shteti të ketë pasur dijeni apo të jetë dashur që në mënyrë të arsyeshme të kishte dijeni më 1973 për ndonjë rrezik real që një mësues të abuzonte me një nxënës ose që L.H. të abuzonte me paditësen.
132. Lidhur me atë që shteti dinte në të vërtetë, Qeveria vëren se as dokumentet e paraqitura gjatë parashtrimit të provave shkresore, as deponimi i inspektorit të shkollës kombëtare të Dunderrow-it në High Court nuk tregojnë kund që autoriteteve shtetërore t’u jetë drejtuar ndonjëherë ndonjë ankesë lidhur me sjelljen e L.H.
133. Ajo është e mendimit se as mund të pretendohet aq më shumë që shteti qenkësh dashur të ishte i vetëdijshëm për një rrezik që disa mësues të kryenin abuzime seksuale ndaj fëmijëve në gjirin e shkollave kombëtare në vitet 1970. Për mendimin e saj, ka rëndësi themelore që të shqyrtohet jo nga pozitat e sotme pika lidhur me dijeninë që mendohet të kishte shteti. Mirëpo, më 1973, perceptimi i rrezikut për abuzime lidhur me fëmijë nuk paska ekzistuar praktikisht fare dhe konteksti i fillimeve të viteve 1970 nuk u vlerësuaka dot në mënyrë retrospektive me kutin e dijes dhe të kërkesave më të larta të sotme. Puna qenka kryesisht që të përcaktohet se cila mund të ishte, në Irlandën e viteve 1970, shkalla e perceptimit të rrezikut që disa mësues të kryenin abuzime seksuale ndaj fëmijëve nëpër shkollat fillore. Për mendimin e Qeverisë, kjo shkallë perceptimi ishte zero. Madje gjyqtari Hardiman e paska shpjeguar se mentaliteti në vitet 1970 ishte i ndryshëm, çka shpjeguaka se përse asnjë prind nuk u ishte ankuar drejtpërdrejt autoriteteve të shtetit në kohën e ngjarjeve. Qeveria i referohet gjithashtu raportit kërkimor me titull “Mbrojtja e fëmijëve nëpër konvikte në Angli, 1948‑1975: Histori e përshkrim”, i cili gjendej i bashkëngjitur me Raportin Ryan. Ajo vë në dukje se vetë paditësja nuk ka paraqitur përpara juridiksioneve të brendshme asnjë element prove lidhur me shkallën e perceptimit të rrezikut të lartpërmendur në vitet 1970, dhe se në të vërtetë vetë eksperti i së interesuarës (profesori Ferguson) ka çmuar se asgjë nuk e vërtetonte nevojën për strategji parandaluese në fillimin e viteve 1970. Për sa i përket raportit Carrigan, ai nuk i shërbyeka për asgjë paditëse: sigurisht që aty paska disa elemente që tregojnë se veprat penale me karakter seksual ishin në rritje dhe se policia i ndiqte në mënyrë aktive veprat e këtilla penale të kryera ndaj disa vajzave të reja, mirëpo asgjë nuk shtynte të mendohej se një mësues mund të përbënte ndonjë kërcënim për një vajzë të re brenda mureve të një shkolle. Ndonëse duke e pranuar që Ministria nuk e kishte trajtuar me korrektësi një ankesë ku përflitej Z. Brander, Qeveri mbron mendimin se mbi bazën e vetëm këtij incidenti nuk mund të pandehet që shteti kishte dijeni në vitet 1970 për një rrezik të përgjithshëm abuzimesh seksuale lidhur me fëmijët që ndodheshin në mjedis shkollor. Sapo është bërë i vetëdijshëm për ekzistencën dhe përmasat e problemeve, shteti paska miratuar disa direktiva për t’u dhënë atyre fund.
134. Qeveria shton se, gjithsesi, e drejta e brendshme i parashikonte disa mekanizma efektivë mbrojtjeje, për aq sa ç’ishte rreziku që mund të perceptohej në atë kohë. Ajo vë në dukje se veprimet e kryera nga L.H. përbënin vepra penale dhe se në të vërtetë, sapo iu përcollën ankesat policisë në mesin e viteve 1990, u zhvillua një hetim penal shterues i cili çoi në dënimin dhe në burgosjen e L.H. Sipas saj, e drejta e përgjegjësisë civile e mundësonte ngritjen e një padie civile kundër L.H. dhe autoriteteve fetare.
135. Qeveria çmon se edhe Rregullorja e vitit 1965 e ofronte njëfarë mbrojtjeje. Sipas saj, ky tekst përbënte një instrument juridik që mund t’i kundërvihej çdo mësuesi a drejtori dhe aty ishte e shpjeguar me qartësi se si të paraqitej e të trajtohej një ankesë. Qeveria u referohet në veçanti neneve 121 e 130 të Rregullores, që parashtronin rregullat e sjelljes të cilave duhej t’u përmbaheshin mësuesit, si edhe nenit 108 të Rregullores dhe direktivës së 6 majit 1970, lidhur me mekanizmat që mundësonin sanksionimin e mësuesve të cilët kishin pasur sjellje të keqe. Ajo shton se inspektorët kishin konkretisht për detyrë që t’i raportonin ministrit rreth cilësisë së sistemit, e veçanërisht rreth respektimit të Rregullores së vitit 1965, si edhe të garantonin një “normë të kënaqshme mësimdhënieje” në të gjitha institucionet e arsimit fillor. Ajo thekson nga ana tjetër se drejtorët, mësuesit dhe prindërit kishin secili rolin e vet në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe se kompetencën për t’i drejtuar një ankesë drejtpërdrejt një inspektori, ministrit, ministrisë ose policisë e kishin të gjithë, por se askush nuk e paskësh bërë një gjë të tillë në rastin e paditëses. Sipas saj, një ankesë e tillë do të kishte çuar në hetime e gjurmime të përshtatshme dhe, në rast nevoje, në një sanksion, për shembull në heqjen e lejes së mësimdhënies për mësuesin në fjalë nga ana e ministrit. Problemi i vërtetë në rastin e kësaj çështjeje qëndruaka në mospërdorimin në atë kohë të procedurave ekzistuese. Kështu, ankesa e parë lidhur me L.H. i qenka drejtuar drejtorit dhe jo ndonjë autoriteti të shtetit.
136. Me pak fjalë, Qeveria del në përfundimin se në kohën e ngjarjeve ekzistonin garanci ndaj çdolloj rreziku për të cilin shteti duhej të kishte dijeni, dhe se shtrirja e kësaj dijenie duhet të vlerësohet nga pikëpamja e viteve 1970, pa përfituar nga pamja prej pozitave të sotme dhe, sidomos, pa e gjykuar një kontekst të para dyzet vjetëve përmes prizmit të dijenive dhe të normave të sotme.
B. Vërejtjet e palëve të treta
1. Komisioni Irlandez i të Drejtave të Njeriut (Irish Human Rights Commission – “IHRC”)
137. IHRC-ja u krijua për nxitjen dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut të çdo personi në Irlandë përmes një ligji të vitit 2000 i cili pasonte “Marrëveshjen e së Premtes së Zezë” (Good Friday Agreement) të vitit 1998. Ai ka marrë pjesë edhe më parë si palë e tretë në disa procedura përpara Gjykatës.
138. IHRC-ja vë veçanërisht në dukje se shteteve u bien disa detyrime pozitive në fushën e parandalimit të trajtimeve që janë në kundërshtim me nenin 3. Çdo shtet paska kështu detyrën e përgjithshme që ta strukturojë sistemin e vet të arsimit fillor në mënyrë të tillë që të sigurojë mbrojtjen e fëmijëve dhe ai nuk mund t’iu shmangka detyrimeve të tij rreth kësaj pike duke ia deleguar disa funksione të shërbimit publik një organizmi privat. Në këtë vështrim, u shtruaka një pyetje serioze lidhur me pikën nëse shteti i paditur e kishte ruajtur apo jo një nivel të mjaftueshëm kontrolli mbi shkollat kombëtare të financuara me fonde publike për të garantuar respektimin e të drejtave të mbrojtura nga Konventa. Nga ana tjetër, statusit juridik të Rregullores së vitit 1965 i paska munguar qartësia, madje po ashtu si edhe dispozitave të saj për rolin e inspektorëve lidhur me sjelljen e mësuesve. IHRC-ja shton se, sado që Rregullorja e përmendte vërtet një “sjellje të papërshtatshme” të mësuesve, ajo nuk e përkufizonte këtë nocion, as nuk parashikonte ndonjë procedurë për t’iu përgjigjur këtij lloji problemesh. Duke qenë i mendimit se shkollat private me pagesë dhe mësimdhënia në banesë nuk ishin zgjidhje të mundshme për shumicën dërrmuese të prindërve irlandezë, IHRC-ja argumenton se detyrimi për ta arsimuar çdo fëmijë në moshë arsimi fillor i paska detyruar de facto prindërit që t’i dërgonin fëmijët e tyre në shkolla kombëtare, përndryshe ata paskan rrezikuar të bëhen objekt ndjekjesh penale, gjobash ose heqjeje të fëmijëve të tyre. Si përfundim, IHRC-ja çmon se administratorët e shkollave të zakonshme kombëtare, në të cilat përfundonin në mënyrë të pashmangshme sipas tij pjesa më e madhe e fëmijëve irlandezë, kishin në dorë shumë pak të dhëna për t’i trajtuar pohimet apo dyshimet për abuzime, se asgjë nuk i detyronte institucionet shkollore për t’ia raportuar këto pohime a dyshime ministrisë ose policisë, se shërbimet sociale kishin kompetenca të kufizuara për të trajtuar këtë lloj pohimesh apo dyshimesh dhe, së fundi, se fëmijët e prindërit gjendeshin përballë vështirësish për të paraqitur ankesa të tilla.
2. Qendra Evropiane për Ligj e Drejtësi (European Centre for Law and Justice – “ECLJ”)
139. ECLJ-ja e paraqet veten si një organizatë joqeveritare që i kushtohet në thelb mbrojtjes së lirisë fetare. Ajo ka marrë pjesë edhe më parë si palë e tretë në procedura përpara Gjykatës. Në çështjen në fjalë, ajo përqendrohet në pikën nëse shteti mund të ngarkohet ose jo me përgjegjësi për shkak të abuzimeve të kryera nga L.H. ndaj paditëses.
140. ECLJ-ja shpjegon se, që prej krijimit të sistemit arsimor, roli i shtetit kufizohet në sigurimin e financimit të tij dhe në kontrollin e cilësisë së programeve dhe të mësimdhënies. Ky sistem nuk nënkuptuaka kurrfarë marrëdhënieje hierarkike midis shtetit, në njërën anë, dhe institucioneve e mësuesve, në anën tjetër, dhe nuk lejuaka që të shërbejë si bazë juridike e ndonjë farë detyrimi që këto të dytat ta mbajnë të informuar të parin. Për më tepër, neni 2 i Protokollit nr. 1 nuk kërkuaka nga shteti që ky të kujdeset vetë drejtpërdrejt për administrimin e institucioneve shkollore, deri në atë pikë sa të marrë përsipër të gjitha çështjet disiplinore.
141. Për sa i përket pikës nëse, megjithatë, shteti e ka përmbushur detyrimin e tij pozitiv për të penguar trajtime që bien në kundërshtim me nenin 3, ECLJ-ja çmon se në fillimin e viteve 1970 shteti nuk ishte i detyruar të merrte masa të tjera përveç asaj që të ofronte procedura penale dhe civile.
142. Duke qenë e mendimit se, në bazë të së drejtës së brendshme dhe të Konventës, shtetit nuk i binte asnjë detyrim për të marrë përsipër administrimin e përditshëm të sistemit të arsimit fillor, ECLJ-ja e gjykon si të pamundur që shteti të mbahet përgjegjës për veprimet e kryera nga një mësues i një shkolle fillore, në qoftë se atij nuk i diktohet një përgjegjësi objektive. Ajo shton se natyra private dhe fetare e instancave drejtuese të institucioneve shkollore as nuk e ka penguar kurrë parandalimin apo shkëshillimin e abuzimeve, as nuk e ka përjashtuar zbatimin e ligjit.
C. Vlerësimi i Gjykatës
143. Ngjarjet rëndësore të kësaj çështjeje i takojnë vitit 1973. Siç e thekson Qeveria, pikën lidhur me përgjegjësinë eventuale të shtetit lidhur me to Gjykata duhet ta vlerësojë me kutin e rrethanave dhe të normave të vitit 1973 e, sidomos, të lërë mënjanë ndërgjegjësimin e shkaktuar në shoqërinë e sotme nga debatet e fundit rreth kësaj teme, përfshirë edhe në Irlandë (paragrafët 73-88 të mësipërm), për rrezikun e abuzimeve seksuale ndaj të cilave janë të ekspozuar të miturit brenda një konteksti arsimor.
1. Detyrimi pozitiv i shtetit në diskutim
144. Gjykata rikujton se neni 3 sanksionon një nga vlerat themelore të shoqërive demokratike. Ai i ndalon absolutisht torturën e dënimet apo trajtimet çnjerëzore ose poshtëruese. I bashkuar me nenin 3, detyrimi që neni 1 i Konventës u dikton Palëve të Larta Kontraktuese për t’i garantuar cilitdo person që ndodhet nën juridiksionin e tyre të drejtat dhe liritë e sanksionuara prej Konventës i urdhëron ato që të marrin masa të tilla që të mos lejojnë që personat e sipërpërmendur t’u nënshtrohen torturave ose dënimeve apo trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese, qoftë edhe të shkaktuara nga individë. Është e udhës që ky detyrim të interpretohet në mënyrë të tillë që autoriteteve të mos u ngarkohet një barrë e tepruar, duke pasur sidomos parasysh paparashikueshmërinë e sjelljes njerëzore si edhe zgjidhjet operative që duhet të bëhen sipas përparësive e mundësive reale. Për këtë arsye, jo çdo rrezik keqtrajtimi i detyron autoritetet, në vështrimin e Konventës, që të marrin masa konkrete për të parandaluar kryerjen e tij. Megjithatë, masat e duhura duhet që të paktën të mundësojnë një mbrojtje të efektshme, sidomos të fëmijëve dhe të personave të tjerë të cenueshëm, e të përfshijnë masa të arsyeshme për moslejim keqtrajtimesh për të cilat autoritetet kanë pasur ose duhet të kishin pasur dijeni (X e Y k. Vendeve të Ulëta, 26 mars 1985, §§ 21–27, seria A nr. 91, A. k. Mbretërisë së Bashkuar, § 22, 23 shtator 1998, Recueil 1998‑VI, Z me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar, i cituar më lart, §§ 74-75, D.P. e J.C. k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 38719/97, § 109, 10 tetor 2002, dhe M.C. k. Bullgarisë, nr. 39272/98, § 149, GjEDNj 2003‑XII).
145. Për më tepër, konteksti i sistemit të arsimit fillor, sfond i kësaj çështjeje, e përcakton në një masë të gjerë natyrën dhe rëndësinë e këtij detyrimi. Nga jurisprudenca e Gjykatës del me qartësi se detyrimi pozitiv për mbrojtje merr një peshë krejt të veçantë në kuadrin e një shërbimi publik kaq të rëndësishëm sa arsimi fillor, meqenëse autoritetet shkollore janë të detyruara që t’i mbrojnë shëndetin e mirëqenien e nxënësve dhe, në veçanti, të fëmijëve në moshë të re që janë veçanërisht të cenueshëm e që ndodhen nën kontrollin ekskluziv të këtyre autoriteteve (Grzelak k. Polonisë, nr. 7710/02, § 87, 15 qershor 2010, dhe Ilbeyi Kemaloğlu e Meriye Kemaloğlu k. Turqisë, nr. 19986/06, § 35, 10 prill 2012).
146. Pra, duke pasur parasysh karakterin themelor të të drejtave të garantuara nga neni 3 dhe cenueshmërinë e veçantë të fëmijëve, autoritetet publike kanë detyrimin, i cili është i pandashëm nga misioni i tyre, që t’i mbrojnë ata nga keqtrajtimet, sidomos në kontekstin e arsimit fillor, duke miratuar masa e garanci të posaçme nëse është nevoja.
147. Ky është për më tepër një detyrim i cili diktohej tashmë edhe në vitin 1973, në kohën kur kanë ndodhur ngjarjet përkatëse të çështjes në fjalë.
Vargu i instrumenteve ndërkombëtare që ekzistonin përpara kësaj periudhe dhe që përmblidhen nga paragrafi 91 deri në atë 95 e nënvizonin nevojën që shtetet të marrin masa të posaçme në fushën e mbrojtjes së fëmijëve. Gjykata mban shënim në veçanti për PNDCP-në dhe për PNDEShK-në, që të dy të çelur për nënshkrim më 1966 e të nënshkruar nga Irlanda që më 1973, ndonëse kjo i nënshkroi vetëm më 1989 (paragrafi 95 i mësipërm).
Përveç kësaj, Gjykata ka pohuar që në vendimin e saj të pestë, dhe e ka bërë këtë në kontekstin e nenit 2 të Protokollit nr. 1 lidhur me të drejtën për arsimim, se Konventa mund t’u diktonte shteteve detyrime pozitive (Çështja “lidhur me disa aspekte të regjimit gjuhësor të mësimdhënies në Belgjikë” k. Belgjikës (themeli), 23 korrik 1968, § 3, seria A nr. 6). Formulimi që ajo ka përdorur në çështjen Marckx k. Belgjikës (13 qershor 1979, § 31, seria A nr. 31) për të përshkruar detyrimin pozitiv që i bie shtetit në bazë të nenit 8 për të garantuar integrimin e një fëmije në familjen e vet është rimarrë shpesh (sidomos në çështjen Airey k. Irlandës, 9 tetor 1979, § 25, seria A nr. 32). Nga ana tjetër, një gjë kjo veçanërisht rëndësore për çështjen në fjalë, Gjykata ka çmuar në vendimin e saj pilot X e Y k. Vendeve të Ulëta (të cituar më lart), se mungesa e legjislacionit penal për ndëshkimin e ngacmimeve seksuale të bëra ndaj një adoleshenteje me të meta mendore e përligjte nxjerrjen e përfundimit se shteti nuk e kishte respektuar detyrimin pozitiv për të mbrojtur të drejtat e viktimës që rrjedhin nga neni 8. Për të dalë në këtë përfundim, Gjykata e ka hedhur poshtë argumentin e Qeverisë lidhur me karakterin “e jashtëzakonshëm” të ngjarjeve të asaj çështjeje dhe me paparashikueshmërinë e mangësisë legjislative që ato kishin nxjerrë në pah, duke çmuar se shteti i paditur ishte dashur të ishte i vetëdijshëm për rrezikun e abuzimeve seksuale që mund të kishte për adoleshentet me të meta mendore në strehët private për fëmijë e se ai ishte dashur të bënte ligje për të mos lejuar që të ndodhte një gjë e tillë. Këto çështje kishin të bënin me ngjarje të ndodhura më parë ose në të njëjtën kohë me ato të kësaj padie.
Sigurisht, Gjykata i ka përcaktuar me saktësi që nga ajo kohë edhe rrezen e veprimit, edhe natyrën e detyrimeve pozitive të shtetit. Megjithatë, në çdo rast fjala për të ka qenë thjesht që të qartësonte jurisprudencën e saj, e cila mbetet e zbatueshme për ngjarjet e mëparshme por pa ngritur kurrfarë pikëpyetjeje prapaveprimi (Varnava me të tjerë k. Turqisë [DhM], nr. 16064/90, 16065/90, 16066/90, 16068/90, 16069/90, 16070/90, 16071/90, 16072/90 dhe 16073/90, § 140, GjEDNj 2009).
148. Për sa i përket përmbajtjes së detyrimit pozitiv për mbrojtje, Gjykata rikujton se parandalimi i veprimeve të rënda, të tilla si këto në çështjen në fjalë, bëhet medoemos përmes vendosjes së një legjislacioni penal efikas të mbështetur në një mekanizëm të tillë që e siguron respektimin e tij (X e Y k. Vendeve të Ulëta, i cituar më lart, § 27; shih gjithashtu, për shembull, Beganović k. Kroacisë, nr. 46423/06, § 71, 25 qershor 2009, Mahmut Kaya k. Turqisë, nr. 22535/93, § 115, GjEDNj 2000‑III, dhe M.C. k. Bullgarisë, i cituar më lart, § 150). Është me rëndësi të shtohet se natyra e abuzimeve seksuale ndaj të miturve, sidomos kur autori i këtyre abuzimeve qëndron në pozita autoriteti në raport me fëmijën, bën që ekzistenca e mekanizmave të nevojshëm zbulues e sinjalizues të përbëjë një kusht themelor për zbatimin efektiv të ligjeve të zbatueshme penale (Juppala k. Finlandës, nr. 18620/03, § 42, 2 dhjetor 2008). Gjykata dëshiron të saktësojë që, ashtu sikurse edhe Qeveria, ajo çmon se asgjë nga elementet e paraqitura përpara saj nuk tregon ndonjë mospërmbushje operative të detyrimit për ta mbrojtur të paditurën (Osman k. Mbretërisë së Bashkuar, i cituar më lart, §§ 115-116): deri në çastin kur ankesat lidhur me L.H. u sollën në vëmendjen e autoriteteve shtetërore më 1995, shteti nuk e dinte as nuk kishte sesi ta dinte që ky mësues i veçantë, L.H., përbënte një kërcënim për këtë nxënëse të veçantë, paditësen.
149. Gjykata rikujton gjithashtu se nuk është aspak nevoja që të vërtetohet se pa mangësinë e shtetit keqtrajtimet nuk do të kishin ndodhur. Mosmiratimi i masave të arsyeshme të cilat do të kishin pasur një shans real për ta ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve ose për ta zbutur dëmin e shkaktuar mjafton për ta ngarkuar me përgjegjësi shtetin (E. me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar, i cituar më lart, § 99).
150. Siç e thekson paditësja, është e vërtetë që një shtet nuk u shmanget dot detyrimeve të tij ndaj të miturve që shkollohen në institucionet e arsimit fillor duke ua deleguar detyrimet e sipërpërmendura disa organizmave private apo disa individëve (Costello-Roberts k. Mbretërisë së Bashkuar, i cituar më lart, § 27; shih gjithashtu, mutatis mutandis, Storck k. Gjermanisë, nr. 61603/00, § 102, GjEDNj 2005‑V). Megjithatë, nga kjo nuk duhet të nxirret si përfundim, siç e bën Qeveria, se kjo çështje i rivë në pikëpyetje ruajtjen e modelit të administrimit jo publik të arsimit fillor dhe zgjedhjet ideologjike ku mbështetet ai. Në çështjen në fjalë, puna është më tepër që të përcaktohet nëse sistemi i ruajtur në këtë mënyrë përmbante apo jo mekanizma të mjaftueshëm për mbrojtje të fëmijëve.
151. Së fundi, Qeveria duket që është e mendimit se zgjedhja e paditëses për të ndjekur shkollën kombëtare të Dunderrow-it e ka shkarkuar shtetin nga detyrimet e tij sipas Konventës. Gjykata çmon megjithatë se paditësja, si shumica dërrmuese e fëmijëve në moshë arsimi fillor, nuk kishte tjetër “zgjidhje realiste dhe të pranueshme” përveçse të frekuentonte shkollën e atyshme kombëtare (Campbell e Cosans k. Mbretërisë së Bashkuar, 25 shkurt 1982, § 8, seria A nr. 48). Arsimi fillor ishte i detyrueshëm (në zbatim të neneve 4 e 17 të Ligjit të vitit 1926 për shkollimin), dhe të rrallë ishin ata prindër që i kishin burimet e nevojshme që të mund të zgjidhnin dy opsionet e tjera për shkollim (mësimdhënie në banesë ose regjistrim në një nga shkollat e rralla fillore me pagesë, me ecejaket që mund të shkaktonte kjo gjë), ndërkohë që shkollat kombëtare ishin pa pagesë dhe e mbulonin të gjithë territorin. Në famullinë e paditëses kishte katër të tilla dhe asgjë nuk është thënë lidhur me largësinë në të cilën ndodhej shkolla më e afërt me pagesë. Sidoqoftë, shteti nuk ka sesi të përjashtohet nga detyrimi i tij pozitiv për mbrojtjen e një fëmije thjesht për arsye të zgjedhjes së bërë nga ky i fundit midis opsioneve për arsimim të lejuara nga shteti: shkollë kombëtare, shkollë me pagesë ose mësimdhënie në banesë (Costello-Roberts, i cituar më lart, § 27).
152. Me pak fjalë, pyetja që shtrohet në këtë çështje është nëse kuadri legjislativ i krijuar nga shteti, e në veçanti mekanizmat e tij zbulues e sinjalizues, u ofronin apo jo fëmijëve që shkolloheshin nëpër shkollat kombëtare një mbrojtje efektive nga rreziqet për abuzime seksuale për të cilat mund të thuhej se autoritetet kishin ose duhej të kishin dijeni më 1973.
2. A është përmbushur detyrimi pozitiv?
153. Askush nuk e kundërshton që paditësja ka pësuar abuzime seksuale nga ana e L.H. më 1973. Për më tepër, L.H. e pranoi vetë fajësinë e tij për disa akuza abuzimesh seksuale me nxënës të së njëjtës shkollë kombëtare. Ai nuk paraqiti asnjë mbrojtje në kuadrin e padisë civile të nisur nga paditësja dhe Gjykata e Lartë e pranoi që ai kishte abuzuar me të interesuarën. Përveç kësaj, Gjykata ka mendimin se këto keqtrajtime kanë të bëjnë me nenin 3 të Konventës, çka madje nuk kundërshtohet. Më saktësisht, në moshën nëntëvjeçare, ndaj paditëses u kryen nja njëzet herë brenda një periudhe prej rreth gjashtë muajsh abuzime seksuale nga ana e L.H., i cili në cilësinë e tij si mësues dhe si kryemësues i shkollës të së interesuarës ndodhej në një pozitë autoriteti e kontrolli në marrëdhënie me të (shih, për shembull, E. me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar, i cituar më lart, § 89).
154. Po ashtu, midis palëve nuk ka kundërshtime të mëdha lidhur me strukturën e sistemit irlandez të arsimit fillor, ndonëse paditësja dhe Qeveria kanë mendime që nuk pajtohen lidhur me pikën se çfarë përgjegjësie i ngarkonin shtetit në këtë drejtim e drejta e brendshme dhe Konventa.
155. Rolet përkatëse të institucioneve fetare dhe të shtetit në fushën e arsimit fillor kanë ndryshuar shumë pak në Irlandë që prej fillimit të shekullit XIX: arsimi fillor sigurohej nga shteti (i cili përcaktonte programet, u jepte mësuesve lejet e mësimdhënies dhe financonte institucionet shkollore), por në thelb jepej nga shkollat kombëtare. Këto të fundit kishin organe fetare për pronarë (Padronët) dhe për administratorë (drejtorët). Siç e ka theksuar gjyqtari Hardiman, administrimi i shkollave kombëtare nga institucione fetare nuk vinte thjesht nga një leje që u kishte dhënë atyre shteti për të marrë pjesë në organizimin e arsimit fillor, por nga një “kalim të drejte” nga ana e shtetit për administrimin e këtyre shkollave në favor të institucioneve fetare dhe të interesave që ato përfaqësonin, përderisa këto institucione viheshin në mes ndërmjet tij dhe fëmijëve. Ministri i Arsimit mënjanohej kështu nga administrimi dhe mbikëqyrja e drejtpërdrejtë dhe e përditshme e shkollave kombëtare (paragrafët 35 e 40 të mësipërm). Siç e kanë vënë në dukje gjyqtarët Hardiman e Fennelly gjatë procedurës përpara Gjykatës së Lartë, institucionet fetare kishin shprehur dëshirën e madhe për ta ruajtur modelin e arsimit fillor të bazuar te shkollat kombëtare dhe ndikimin e tyre mbi atë sistem. Meqenëse qëllimi i ndjekur prej tyre ishte që nëpër shkolla të pasqyrohej etika e tyre, sistemi i shkollave kombëtare mori si përfundim një karakter në thelb fetar. Për rrjedhojë, shkolla kombëtare e administruar nga Kisha Katolike kishte në përgjithësi një drejtor katolik (zakonisht priftin e famullisë së atyshme) si edhe mësues e nxënës katolikë (shih vërejtjet e gjyqtarëve Hardiman e Fennelly në paragrafët 31-32 dhe 43 të mësipërm).
156. Ky model i shkollave kombëtare vazhdoi edhe pas pavarësisë më 1922, pastaj u sanksionua nga neni 42 § 4 i Kushtetutës së miratuar më 1937, i cili e la në fuqi dhe e lehtësoi funksionimin e tyre. Në fillimin e viteve 1970, shkollat kombëtare përbënin 94% të të gjitha institucioneve të arsimit fillor. Kisha Katolike kishte dhe administronte asokohe 91% të këtyre institucioneve; përqindja e fëmijëve në moshë arsimi fillor të cilët shkonin në shkollat kombëtare të drejtuara nga Kisha Katolike ishte sipas të gjitha gjasave edhe më e lartë.
157. Kështu, në fillimin e viteve 1970, shumica dërrmuese e fëmijëve irlandezë, ashti si edhe paditësja, arsimoheshin në shkollën e tyre kombëtare vendore deri në moshën dymbëdhjetë ose trembëdhjetë vjeç. Siç e kanë vënë në dukje gjyqtarët Hardiman e Fennelly gjatë procedurës përpara Gjykatës së Lartë, shkollat kombëtare ishin institucione arsimore që mbaheshin e administroheshin nga një subjekt privat dhe sipas interesave të këtij të fundit, pa kurrfarë kontrolli nga shteti. Ky subjekt privat ushtronte për më tepër një ndikim të konsiderueshëm, veçanërisht mbi nxënësit dhe prindërit e tyre, dhe ishte i vendosur që ta ruante pozitën e vet.
158. Ky model arsimi fillor duket se nuk ka pasur ndonjë të barasvlershëm me të në Evropë. Duke e marrë parasysh veçorinë e tij, Gjykata e Lartë e ka cilësuar këtë sistem si tërësisht sui generis, fryt i përvojës historike të pashoqe të Irlandës.
159. Nga njëra anë, shteti e ruante këtë model arsimor unik dhe, nga ana tjetër, ai kishte dijeni, nga zbatimi i ligjeve të tij penale në këtë fushë, për nivelin e kriminalitetit me karakter seksual që prekte fëmijë të mitur.
160. Pas shpalljes së pavarësisë më 1922, ai kishte ruajtur ose miratuar rishtas disa dispozita legjislative që i cilësonin posaçërisht si vepra penale abuzimet seksuale me të mitur, për shembull nenet 50 e 51 të Ligjit (të ndryshuar) të vitit 1861 për veprat penale ndaj personave dhe Ligjin e vitit 1935 për ndryshimin e së drejtës penale. Veprime të tilla përbënin gjithashtu edhe vepra penale cenimi të nderit dhe dhunimi të zakonshëm, të përcaktuara në common law.
161. Përveç kësaj, elementet e paraqitura përpara Gjykatës tregojnë se para viteve 1970 ndjekjet penale për abuzime seksuale të kryera ndaj fëmijësh ishin mbajtur në një nivel të qëndrueshëm. Gjykata shënon në veçanti statistikat e hollësishme që prefekti i policisë i ka dhënë Komisionit Carrigan që më 1931 (paragrafi 71 i mësipërm). Mbi bazën e informacioneve të mbledhura pranë 800 postash policie, prefekti kishte vënë re e një numri alarmues veprash penale me karakter seksual në Irlandë, shumë nga të cilat kishin të bënin me të mitur, sidomos me fëmijë nën moshën dhjetë vjeç. Ai kishte vënë në dukje se, në të vërtetë, vetëm një pjesë e veprave të kryera bëheshin objekt për ndjekje penale. Duke vendosur një lidhje shkakësore midis shpeshtësisë së sulmeve që synonin të mitur dhe ndjenjës së pandëshkueshmërisë të autorëve të këtyre veprave, Komisioni Carrigan kishte rekomanduar në raportin e tij ndryshime ligjore dhe sanksione më të ashpra, çka kishte çuar konkretisht në miratimin e Ligjit të vitit 1935 i cili, ndër të tjera, fuste në të drejtën irlandeze disa vepra penale me karakter seksual që synonin vajza të reja. Nga ana tjetër, në një studim të kryer nën drejtimin e Komisionit Ryan dhe të bashkëngjitur te raporti i këtij të fundit (paragrafi 82 i mësipërm), profesori Ferriter kishte bërë analizën e të dhënave statistikore lidhur me ndjekjet, të nxjerra nga arkivat e juridiksioneve penale, për periudhën midis Raportit Carrigan dhe viteve 1960. Ai kishte dalë konkretisht në përfundimin se këto dokumente tregonin një nivel të lartë kriminaliteti me karakter seksual që prekte fëmijët në moshë të re (djem e vajza). Së fundi, Raporti Ryan kishte nxjerrë gjithashtu në pah ekzistencën e ankesave të paraqitura pranë autoriteteve të shtetit përpara dhe gjatë viteve 1970 lidhur me abuzime seksuale me të mitur të kryera nga të rritur (paragrafët 78-81 të mësipërm). Ndonëse ky raport kishte të bënte kryesisht me industrial schools, ku mësimi ishte i ndryshëm nga ai që jepej në shkollat kombëtare dhe konviktorët e të cilave ishin të izoluar nga familja e tyre dhe nga shoqëria (për një përshkrim të këtyre shkollave, shih paragrafin 73 të mësipërm), këto ankesa të para përbënin megjithatë sinjalizime ndaj shtetit për abuzime seksuale të kryera nga të rritur mbi të mitur në një kontekst arsimor. Sidoqoftë, disa nga ankesat e drejtuara ndaj shtetit përpara dhe gjatë viteve 1970 të cilat përmendeshin në vëllimin III të Raportit Ryan kishin të bënin me ngjarje të ndodhura nëpër shkolla kombëtare (paragrafi 80 i mësipërm).
162. Shteti ishte pra në dijeni për përmasat e problemit të veprave penale me karakter seksual të kryera nga të rritur ndaj të miturve. Për rrjedhojë, meqenëse ai e braktiste kontrollin e arsimit të një shumice mjaft të madhe fëmijësh në moshë të re në duar instancash jo publike, ai duhej të kishte pasur gjithashtu dijeni, duke pasur parasysh detyrimin e tij të nënkuptuar për mbrojtje të fëmijëve në këtë kontekst, që mungesa e një kuadri të përshtatshëm mbrojtjeje krijonte rreziqe potenciale për sigurinë e tyre. Ai duhej ta kishte shmangur këtë rrezik duke miratuar masa dhe garanci të përshtatshme. Kështu ai duhej të kishte krijuar më së paku mekanizma efektivë zbulimi e sinjalizimi të keqtrajtimeve eventuale përkatësisht nga një organ i kontrolluar prej shtetit dhe ndaj një organi të tillë, meqenëse procedura të tilla janë themelore për vënien në zbatim të ligjeve penale, për parandalimin e keqtrajtimeve dhe, më në përgjithësi, për përmbushjen e detyrimit pozitiv për mbrojtje që i takon shtetit (paragrafi 148 i mësipërm).
163. Qeveria i referohet fillimisht procedurës së sinjalizimit të parashtruar në Rregulloren e vitit 1965 dhe në Direktivën e 6 majit 1970 (paragrafi 62 i mësipërm). Megjithatë, asnjë nga dokumentet e paraqitura përpara Gjykatës nuk tregon që për një autoritet të çfarëdoshëm të shtetit të kishte ndonjë detyrim për të mbikëqyrur mënyrën se si i trajtonin mësuesit nxënësit e tyre apo që të ishte parashikuar ndonjë procedurë e tillë që ta nxiste një fëmijë a një prind për t’iu drejtuar drejtpërdrejt një autoriteti shtetëror për të denoncuar keqtrajtime. Përkundrazi, vetë teksti i Direktivës së 6 majit 1970 të përmendur nga Qeveria i orientonte shprehimisht personat që dëshironin të ankoheshin për mësuesit drejt drejtorit, me fjalë të tjera drejt një autoriteti jo publik e me karakter fetar. Kështu pra, çdo prindi që mund të ketë pasur ndër mend që të mos kalonte përmes drejtorit (përgjithësisht një prift vendas, si në çështjen në fjalë) për të paraqitur ankesë pranë një autoriteti të shtetit, rregullat e zbatueshme ia paskan shkëshilluar që të vepronte ashtu.
164. Qeveria përmend pastaj sistemin e inspektorëve shkollorë, të përcaktuar nga Rregullorja e vitit 1965 si edhe nga qarkorja nr. 16/59 (paragrafi 61 i mësipërm). Lidhur me këtë, Gjykata vë në dukje se misioni i parë i inspektorëve ishte që të mbikëqyrnin shërbimet arsimore dhe t’i raportonin për këtë qëllim ministrit. Në instrumentet e përmendura nga Qeveria nuk vihet në dukje askund që inspektorët duhej të interesoheshin për mënyrën se si mësuesit i trajtonin nxënësit e tyre dhe të kryenin gjurmime për këtë qëllim, që fëmijët dhe prindërit mund t’i ankoheshin drejtpërdrejt një inspektori, që prindërit duhej të informoheshin që më parë për vizitën e një inspektori apo që kishte mundësi ndërveprimi të drejtpërdrejtë midis një inspektori dhe nxënësve dhe/ose prindërve të tyre. Largësia kohore ndërmjet vizitave të inspektorëve (paragrafi 61 i mësipërm) shpie detyrimisht në përfundimin se këta të fundit gjendeshin në terren vetëm në mënyrë episodike. Përveç kësaj, Qeveria nuk ka parashtruar asnjë informacion për ankesa që t’i jenë drejtuar ndonjë inspektori lidhur me keqtrajtime të shkaktuara nga një mësues ndaj një nxënësi. Siç e ka theksuar gjyqtari Hardiman gjatë procedurës përpara Gjykatës së Lartë, inspektimet e kryera nga ministri (nëpërmjet inspektorëve) kishin të bënin me nivelin e shërbimeve të mësimdhënies në institucionet shkollore, por nuk shkonin më tutje. Ministri nuk i kishte shkollat nën kontrollin e tij të drejtpërdrejtë, sepse ndërmjet shtetit dhe fëmijës ndodhej i vënë në mes një autoritet jo publik, drejtori (paragrafi 35 i mësipërm).
165. Prandaj Gjykata çmon se mekanizmat e përmendur nga Qeveria nuk e mundësonin vendosjen e një marrëdhënieje mbrojtjeje efektive midis autoriteteve të shtetit dhe fëmijëve që shkolloheshin në institucionet e arsimit fillor dhe/ose prindërve të tyre, çka është e logjikshme duke pasur parasysh ndarjen e pazakontë të përgjegjësive në modelin e ngritur mbi bazën e shkollave kombëtare.
166. Për mendimin e Gjykatës, ngjarjet e çështjes në fjalë janë një ilustrim i pasojave të kësaj mungese mbrojtjeje dhe tregojnë se krijimi i një kuadri efektiv rregullash mbrojtjeje përpara vitit 1973 “nga një pikëpamje e arsyeshme, pa dyshim që [do ta kishte] parandaluar ose të paktën zvogëluar në minimum rrezikun ose dëmin e pësuar” (E. me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar, i cituar më lart, § 100). Që prej fillimit të viteve 1960, në shkollën kombëtare të Dunderrow-it janë regjistruar më shumë se 400 incidente abuzimesh për faj të L.H. Ankesa lidhur me të interesuarin iu drejtuan më 1971 e 1973 klerikut që ishte në funksionet e drejtorit por, siç e përcaktoi më vonë Gjykata e Lartë, ky nuk njoftoi asnjë autoritet të shtetit. Inspektori i caktuar në atë shkollë kreu gjashtë vizita midis viteve 1969 e 1973; atij nuk iu bë kurrë asnjë ankesë lidhur me L.H. Në të vërtetë, asnjë autoritet i shtetit nuk u informua për ankesa lidhur me sjelljet e L.H. përpara se ky i fundit të dilte në pension më 1995. Një mekanizëm zbulimi e sinjalizimi i cili mundëson përjetësimin e një sjelljeje kaq të dënueshme për një periudhë kaq të gjatë nuk mund të shihet përveçse si jo i efektshëm (C.A.S. e C.S. k. Rumanisë, nr. 26692/05, § 83, 20 mars 2012). Është e arsyeshme të hamendësohet që, nëse do të ishin marrë masa të duhura pas ankesës së vitit 1971, paditësja e çështjes në fjalë nuk do të kishte qenë e detyruar t’u nënshtrohej përsëri dy vjet më vonë e në të njëjtën shkollë abuzimeve nga ana e të njëjtit mësues.
167. Së fundi, letra e profesorit Ferguson, e përmendur nga Qeveria, nuk ishte një raport hetimi i hartuar prej një ekspert, por më shumë një mendim paragjyqësor i cili merrte pra gjithashtu parasysh në mënyrë të pashmangshme disa pika të tilla si shanset e një ankimi për sukses dhe shpenzimet lidhur me të. Për sa u takon vërejtjeve të profesorit Rollison, nga të cilat kërkon të nxjerrë po ashtu përfitim Qeveria, ato kishin të bënin me shkallën e perceptimit të rrezikut për abuzime seksuale në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa pyetja e ngritur para Gjykatës kërkon një vlerësim të posaçëm për Irlandën.
168. Si përfundim, Gjykata çmon se kjo çështje nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me përgjegjësinë e L.H., të një drejtori ose Padroni kishtar, të një prindi apo të një personi tjetër të çfarëdoshëm për abuzimet seksuale të pësuara nga paditësja më 1973, por më shumë me përgjegjësinë e një shteti. Më saktësisht, puna për Gjykatën është që të shqyrtojë nëse, në kohën e ngjarjeve, shteti i paditur ishte dashur të kishte dijeni për rrezikun ndaj të miturve si paditësja për të qenë viktima abuzimesh seksuale në një shkollë kombëtare dhe nëse ai, përmes sistemit të tij juridik, u ofronte fëmijëve një mbrojtje të mjaftueshme nga trajtime të tilla.
Gjykata ka dalë në përfundimin se mbrojtja e fëmijëve nga keqtrajtimet përbënte që në vitet 1970 për autoritetet publike një detyrim pozitiv të pandashëm nga misioni i tyre. Ky detyrim merrte për më tepër një rëndësi themelore në kontekstin e arsimit fillor. Mirëpo ky detyrim nuk është plotësuar përderisa shteti irlandez, për të cilin duhet menduar se ishte i informuar për ekzistencën e abuzimeve seksuale të kryera nga persona të rritur ndaj fëmijëve duke pasur sidomos parasysh numrin e madh të ndjekjeve penale të nisura për ngjarje të tilla, ka vazhduar megjithatë t’ia besojë administrimin e arsimit fillor që u jepej një shumice të gjerë fëmijësh irlandezë në moshë të re disa institucioneve jo publike (shkollave kombëtare) pa ngritur një mekanizëm kontrolli publik të përshtatshëm për ta shmangur rrezikun e kryerjes së abuzimeve të tilla. Përkundrazi, ankuesit potencialë largoheshin nga autoritetet e shtetit dhe drejtoheshin te drejtorët, të cilët vareshin nga autoritete fetare jo publike (paragrafi 163 i mësipërm). Ky sistem ka sjellë si pasojë në çështjen në fjalë që drejtori, një autoritet jo publik, nuk i ndoqi fare ankesat e para për abuzime seksuale të drejtuara kundër L.H., që ky i fundit mundi edhe më pas të abuzonte me paditësen dhe, në mënyrë më të gjerë, që ai mundi të kryejë për një periudhë të gjatë sulme të rënda seksuale ndaj shumë nxënësish të tjerë në të njëjtën shkollë kombëtare.
169. Në këto kushte, është e udhës të mendohet se shteti nuk e ka përmbushur detyrimin e tij pozitiv për ta mbrojtur paditësen e çështjes në fjalë nga abuzimet seksuale të pësuara prej saj më 1973, në kohën kur ajo frekuentonte shkollën kombëtare të Dunderrow-it. Pra, ka pasur shkelje të të drejtave të së interesuarës të cilat rrjedhin nga neni 3 i Konventës. Për rrjedhojë, Gjykata e rrëzon prapësimin paraprak të Qeverisë lidhur me pretendimin se kërkesa është haptazi e pabazuar.
III. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 3 TË KONVENTËS NË ANËN E TIJ PROCEDURALE
170. Paditësja mbron mendimin se shteti, për më tepër, nuk ka kryer një hetim të përshtatshëm rreth një pohimi të besueshëm për keqtrajtime ose nuk ka ofruar një rrugë të përshtatshme gjyqësore që të mundësonte dhënien e një përgjigjeje lidhur me të. Sipas saj, mungesa e një mekanizmi efektiv zbulimi e sinjalizimi ka bërë që ankesa e saj e vitit 1971 lidhur me L.H. të mos ndiqej fare dhe që nisja e një hetimi penal dhe dënimi i këtij të fundit janë vonuar kështu në mënyrë të konsiderueshme.
171. Qeveria vë në dukje se më 1973 kishte procedura të mjaftueshme, por një organi shtetëror iu drejtua ankesë vetëm më 1995. Sipas saj, shteti i ka plotësuar pastaj detyrimet e tij procedurale: policia ka bërë gjurmime, L.H. është dënuar, paditësja është zhdëmtuar nga CICT-ja, ajo e ka fituar gjyqin në kuadër të procedurës të nisur në rrugë civile kundër L.H. e, nëse padia e saj civile kundër shtetit për pakujdesi është rrëzuar, kjo gjë ka ndodhur vetëm për shkak pamjaftueshmërie provash.
172. Gjykata rikujton parimet e parashtruara në vendimin e saj C.A.S. e C.S. k. Rumanisë (të cituar më lart, §§ 68-70) sipas të cilave, kur ka pohime për keqtrajtime ndaj individëve, neni 3 i detyron autoritetet që të kryejnë një hetim zyrtar efektiv të tillë që të mundësojë vërtetimin e fakteve të çështjes dhe të çojë në identifikimin dhe në dënimin e përgjegjësve. Ky hetim duhet të kryhet në pavarësi të plotë, pa vonesë dhe me një shpejtësi të arsyeshme. Viktima duhet të jetë në gjendje që të marrë pjesë në mënyrë efektive në të.
173. Gjykata ka shqyrtuar këtu më sipër pikën e ekzistencës së mekanizmave të përshtatshëm të zbulimit e të sinjalizimit në kuadrin e detyrimeve pozitive që rrjedhin për shtetin nga ana materiale e nenit 3 të Konventës. Detyrimet procedurale hyjnë në veprim sapo që çështja është sjellë në vëmendje të autoriteteve (C.A.S. e C.S. k. Rumanisë, i cituar më lart, § 70, me referenca të tjera). Në çështjen në fjalë, Gjykata vë në dukje se paraqitja më 1995 pranë shërbimeve policore e një ankese të drejtuar kundër L.H. për abuzime seksuale ndaj një nxënësi të shkollës kombëtare të Dunderrow-it çoi menjëherë në fillimin e një hetimi. E kontaktuar në këtë kuadër, paditësja bëri një deponim në fillim të vitit 1997. Atë e adresuan përveç kësaj te një shërbim përkrahjeje psikologjike (shih, për shembull, C.A.S. e C.S. k. Rumanisë, vendim i cituar më lart, § 82). Kundër L.H. u ngritën 386 akuza për abuzime seksuale që mendohej se ishin kryer ndaj 21 nxënësve të shkollës kombëtare të Dunderrow-it. Ai e pranoi fajësinë e tij për 21 akuza të përgjithësuara për secilën viktimë, pastaj u dënua dhe u vu në burgim. Vërejtjet e palëve nuk mundësojnë që të përcaktohet nëse rasti i paditëses përfshihej në ato akuza. Sidoqoftë, e interesuara nuk protestoi kundër lejes që iu dha L.H. për të pranuar fajësinë e vet për akuza përfaqësuese dhe nuk e kundërshtoi dënimin e shpallur ndaj tij. Për sa u përket pikave lidhur me pamundësinë për të bërë që të pranohej një mospërmbushje e detyrimit për mbrojtje nga ana e shtetit dhe për t’u dëmshpërblyer për këtë arsye, është e udhës që ato të shqyrtohen në këndvështrimin e nenit 13 të bashkuar me nenin 3 të Konventës.
174. Për arsyet që paraprijnë, Gjykata çmon se nuk ka pasur shkelje të detyrimeve procedurale që i takonin shtetit mbi bazën e nenit 3 të Konventës.
IV. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 13 TË BASHKUAR ME NENIN 3 TË KONVENTËS NË ANËN E TIJ MATERIALE
175. Pjesa përkatëse e nenit 13 lexohet kështu:
“Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e njohura në (...) Konventë, ka të drejtë të bëjë ankim efektiv tek një organ i vendit të tij, edhe kur shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.”
176. Paditësja ankohet se nuk i është krijuar asnjë mundësi për ankim efektiv të brendshëm për të denoncuar mospërmbushjen nga shteti të detyrimit të tij për ta mbrojtur atë nga abuzime seksuale. Qeveria mbron nga ana e saj mendimin të drejtat për ankime efektive mund të ushtroheshin si kundër shtetit ashtu edhe kundër aktorëve jo publikë.
177. Gjykata rikujton, siç e ka bërë në paragrafin 115 të mësipërm, se, në një çështje si kjo, neni 13 kërkon një mekanizëm që e lejon të vërtetohet, nëse është rasti, përgjegjësinë e agjentëve ose të organeve të shtetit për veprime ose mosveprime që përbëjnë shkelje të të drejtave të sanksionuara nga Konventa, dhe se një zhdëmtim i dëmit moral që rrjedh nga shkelja duhet që të bëjë pjesë parimisht në regjimin e krijuar për dëmshpërblim (Z me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar, i cituar më lart, § 109). Gjykata u referohet gjithashtu jurisprudencës dhe parimeve përkatëse të parashtruara në paragrafët 107 e 108 të vendimit të saj McFarlane k. Irlandës ([DhM], nr. 31333/06, §§ 107-120, 10 shtator 2010). Në veçanti, ajo e ka për detyrë të përcaktojë, në dritën e vërejtjeve të palëve, nëse mundësitë e përmendura për ankim ishin efektive dhe të disponueshme si teorikisht ashtu edhe praktikisht, domethënë të hapura dhe të tilla që t’i jepnin paditëses perspektiva të arsyeshme për zhdëmtimin e pretendimeve të saj. Ajo nënvizon nga ana tjetër rëndësinë që ka mundësia për ta zhvilluar ankimin në një sistem të bazuar njëherësh edhe në common law edhe në një kushtetutë të shkruar (shih, në veçanti, D. k. Irlandës (vend. pran.), nr. 26499/02, § 85, 27 qershor 2006).
A. Rrugët e ankimit civil kundër instancave jo publike
178. Qeveria mbron mendimin se paditësja qenka dashur të ngrinte padi kundër Padronit të tanishëm dhe/ose të vjetër të shkollës, dioqezës ku ky ishte ipeshkëv, drejtorit dhe/ose drejtorit de facto ose pasardhësve a trashëgimtarëve të këtyre personave. Ajo thekson lidhur me këtë se, gjatë procedurës përpara Gjykatës së Lartë, gjyqtari Hardiman e ka gjykuar si “për t’u shënuar” që e interesuara nuk e kishte bërë këtë. Pa i dëmtuar vërejtjet e saj fillestare ku pohonte se nevojitej një mjet ankimi kundër shtetit, paditësja parashtron se Padroni dhe drejtori kishin vdekur në kohën e paraqitjes së padisë së saj civile, se ipeshkvi i tanishëm kishte hedhur poshtë çdolloj përgjegjësie në përgjigje të letrës së saj paragjyqësore dhe se për këtë ai e kishte të drejtën në anën e tij përderisa, duke mos qenë një person juridik me trashëgimi të përjetshme, ai nuk mund të ndiqej në këtë rast.
179. Meqenëse Gjykata ka dalë në përfundimin se paditësja ishte dashur të kishte një mundësi ankimi që të lejonte përcaktimin e një përgjegjësie eventuale të shtetit, ajo çmon se procedurat e përmendura civile, të cilat kishin të bënin me persona të tjerë dhe me instanca jo publike, duhet të konsiderohen si jo efektive në çështjen në fjalë, pavarësisht nga perspektivat e tyre për sukses (për sa i përket padive kundër Padronit dhe drejtorit) dhe nga shanset për t’i marrë dëmshpërblimet dhe interesat e dhëna në këtë suazë (lidhur me padinë civile kundër L.H.). Po ashtu, sado që dënimi i L.H., i përmendur gjithashtu nga Qeveria, është diçka qendrore për anën procedurale të nenit 3, ai nuk mund të barazohet me një mundësi efektive ankimi për paditësen në kuptimin e nenit 13 të Konventës.
B. Rrugët për ankime civile kundër shtetit
1. Tezat e palëve
180. Qeveria mbron mendimin se paditësja ishte dashur të kërkonte mbajtje përgjegjësie nga shtetit për veprimet e Padronit dhe/ose të drejtorit. Nga ana tjetër, ajo përmend kryesisht dy rrugë të tjera ankimi. E para paska qenë që paditësja të niste një procedurë ku të konstatohej se sistemi i arsimit fillor i parashikuar nga neni 42 i Kushtetutës kishte përbërë shkelje të së drejtës së saj për paprekshmëri fizike, të garantuar në mënyrë të heshtur nga Kushtetuta (padi për përgjegjësi kushtetuese). E dyta paska qenë që e interesuara të ndiqte pretendimin e saj për pakujdesi në Gjykatën e Lartë duke mbrojtur mendimin se shteti nuk e kishte organizuar strukturën e sistemit të arsimit fillor në mënyrë të tillë që ta mbronte atë nga abuzimet, një argumentim i cili përkuaka me atë të shtjelluar prej saj në këndvështrimin e nenit 3 të Konventës. Qeveria vë në dukje se arsyeja për të cilën High Court e kishte rrëzuar kërkesën e paditëses me një vendim të thjeshtuar (urdhër për pushim çështjeje) ishte se e interesuara nuk kishte paraqitur asnjë provë. Ajo shton se vetë eksperti i paditëses (profesori Ferguson, paragrafi 24 i mësipërm), duke çmuar se dijenia e shtetit për rrezikun në fjalë nuk ishte e mjaftueshme, nuk ia kishte këshilluar asaj që të shkonte përpara drejtësisë. Ajo e çmon kështu si diçka hipokrite nga ana e paditëses që të fshihet pas urdhrit për pushim çështjeje, pasojë e mangësive të veta në fushën e provave, për të përligjur vendimin e saj për të mos ndjekur këtë rrugë. Sipas saj, ekziston gjithsesi një jurisprudencë e brendshme e cila tregon se një urdhër për pushim çështjeje për shkak pamjaftueshmërie provash mund të ankimohet dhe se paditësja paska mundur përveç kësaj ta kundërshtonte urdhrin e High Court duke nxjerrë pretendimin se arsyetimi për këtë nuk ishte fort i qartë e nuk i përgjigjej në mënyrë të posaçme argumentit të saj të bazuar te pakujdesia.
181. Paditësja përgjigjet se ajo e ka vënë pikërisht në pikëpyetje përgjegjësinë e shtetit për veprimet e Padronit dhe/ose të drejtorit në kuadrin e padisë së saj pranë juridiksioneve të brendshme. Nga ana tjetër, ajo e kundërshton efektivitetin e dy ankimeve të tjera kundër shtetit që përmenden nga Qeveria. Sipas saj, rrëzimi nga High Court i argumentit të saj lidhur me përgjegjësinë kushtetuese nuk mund të ankimohej. Shteti e siguruaka në fakt respektimin e së drejtës për paprekshmërinë fizike të njohur në mënyrë të heshtur në Kushtetutë nëpërmjet regjimit të përgjegjësisë civile; pra nuk paska ndonjë procedurë të posaçme që mundëson të fitohet zhdëmtim për një dëm që rrjedh nga një shkelje e kësaj të drejte. Po ashtu, padia për pakujdesi paska qenë pa efektivitet. Sipas paditëses, ndonëse urdhri për pushim çështjeje i dhënë kundër saj në shkallë të parë nuk ishte i arsyetuar, prej tij dilte qartazi se elementet që kishte parashtruar ajo nuk kishin lejuar që të vërtetohej që pretendimet e saj për pakujdesi ishin të bazuara. E interesuara shton se, sidoqoftë, ajo nuk i kishte burimet e nevojshme për të kryer gjurmimet e duhura, përmasat e të cilave qenka treguar nga mjetet e stërmëdha të përdorura më pas nga shteti në kuadrin e punimeve të Komisionit Ryan (paragrafi 77 i mësipërm). Sipas saj, një ankim kundër konstatimit të formuluar nga High Court lidhur me provat e paraqitura nuk do të kishte pasur asnjë shans për sukses, pavarësisht nëse do të ishte zbatuar ose jo jurisprudenca e përmendur nga Qeveria.
2. Vërejtjet e IHRC-së
182. IHRC-ja çmon se padia për përgjegjësi kushtetuese nuk është efektive. Ai shpjegon veçanërisht se, sado që gjykatat e kanë pranuar teorikisht idenë e bërjes së ankimeve të posaçme për pretendime shkeljesh të të drejtave kushtetuese (Byrne v. Ireland [1972] IR 241, f. 281, dhe Meskill v. Ireland [1973] IR 121), po të njëjtat gjykata priren që ta shmangin zëvendësimin e ankimeve të parashikuara tashmë nga ligji dhe nga common law me një regjim më vete procedurash kushtetuese; juridiksionet që marrin vendime në fushën kushtetuese përdorkan pra rrugët ekzistuese për ankim, sidomos ato që ofrohen nga e drejta e përgjegjësisë civile (W v. Ireland (nr. 2) ([1999] 2 IR 141). Për mendimin e IHRC-së, pikërisht kështu ka ndodhur në çështjen në fjalë, përderisa ka mjaftuar që, për ta mënjanuar argumentin lidhur me përgjegjësinë kushtetuese kundër shtetit, të riorientohej paditësja drejt një ankimi për përgjegjësi civile për shkelje të të drejtave të saj për paprekshmërinë fizike/për jetën private. IHRC-ja çmon megjithatë se kategoritë e së drejtës së përgjegjësisë civile (pakujdesi/përgjegjësi për veprimet e tjetërkujt) vetëm sa u përcaktojnë kufijtë detyrimeve/përgjegjësive të shtetit, pa u interesuar për detyrën mbase më të përgjithshme që i takon sipas tij këtij të fundit për t’i garantuar të drejtat e fëmijëve në gjirin e sistemit të arsimit publik. Për mendimin e IHRC-së, kjo ngre për rrjedhojë pyetjen nëse padia për përgjegjësi civile përbënte apo jo një rrugë të tillë që të mundësonte sigurimin e mbrojtjes së të drejtave kushtetuese themelore të paditëses, qoftë edhe vetëm për arsyen se ky ankim sipas të drejtës private e vinte theksin te sjellja e shtetit dhe jo te të drejtat e së interesuarës.
3. Vlerësimi i Gjykatës
183. Gjykata çmon se Qeveria nuk e ka vërtetuar efektivitetin në çështjen në fjalë për asnjë nga mundësitë e ankimit kundër shtetit që përmenden prej saj.
184. Së pari, Gjykata e Lartë ka nxjerrë përfundimin se shteti nuk mund të mbahej si përgjegjës për veprimet e L.H., i cili ishte një mësues laik i paguar me fonde publike. Prandaj duhet pranuar se gjasa që ajo të njihte ndonjë përgjegjësi të çfarëdoshme të shtetit për veprimet e Padronit dhe/ose të drejtorit, të cilët ishin klerikë jo të punësuar prej tij, ishte edhe më e vogël. Madje, gjyqtari Fennelly ka vënë në dukje se, përderisa drejtori nuk ishte nëpunësi i shtetit, përgjegjësia për veprimet e tij nuk mund t’i hidhej këtij të fundit (paragrafi 45 i mësipërm).
185. Së dyti, për të bërë që të njihej në rrugë gjyqësore një pakujdesi e drejtpërdrejtë e shtetit, do të ishte dashur të provohej konkretisht ekzistenca e një detyre të shtetit për kujdes ndaj paditëses (paragrafi 66 i mësipërm). Mirëpo ekzistenca e një detyre të tillë për kujdes duket e papajtueshme me ndërvënien e drejtorëve kishtarë midis fëmijëve dhe shtetit dhe me largimin e këtij të fundit nga mbikëqyrja e shkollave kombëtare (shih për këtë vërejtjet e gjyqtarit Hardiman në paragrafët 35 e 39 të mësipërm).
186. Së treti, Qeveria mbron mendimin se paditësja qenka dashur të vinte në pikëpyetje pranë Gjykatës së Lartë përgjegjësinë kushtetuese të shtetit (paragrafi 180 i mësipërm). Megjithatë, edhe sikur të hamendësohet që Gjykata e Lartë të mos e kishte kthyer të interesuarën drejt mundësive ekzistuese për ankim në fushën e përgjegjësisë civile siç ka bërë High Court, prapëseprapë Qeveria nuk e ka vërtetuar, mbi baza jurisprudence përkatëse, se si do të kishte qenë e mundur që shteti të mbahej si përgjegjës për një shkelje të së drejtës kushtetuese për paprekshmërinë fizike të së interesuarës për shkak të një sistemi që ishte parashikuar shprehimisht nga neni 42 i Kushtetutës. Pavarësisht nëse ky argument është përdorur ose jo në mënyrë të vlefshme pranë Gjykatës së Lartë, përmbajtja e tij është hedhur gjithsesi poshtë nga gjyqtari Hardiman i po të njëjtit juridiksion (paragrafi 40 i mësipërm).
C. Konkluzioni i Gjykatës
187. Për arsyet që paraprijnë, Gjykata çmon se nuk është vërtetuar që paditësja të kishte një mundësi ankimi efektiv të brendshëm për të gjetur zgjidhje lidhur me pretendimet e saj për shkelje të nenit 3 të Konventës në anën e tij materiale. Prandaj, ka pasur shkelje të nenit 13 të Konventës. Gjykata e rrëzon për rrjedhojë kërkesën për prapësim paraprak të Qeverisë të bërë për mungesë të hapur themelësie të këtij pretendimi.
(...)
VI. RRETH ZBATIMIT TË NENIT 41 TË KONVENTËS
196. Sipas nenit 41 të Konventës,
“Kur Gjykata konstaton shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj, dhe e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese mundëson vetëm ndreqjen e pjesshme të pasojave të shkaktuara nga shkelja, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmi
1. Tezat e palëve
197. Paditësja kërkon 223 000 EUR për dëmin moral, çka përkon me shumën prej 250 000 EUR që i ka dhënë asaj High Court si dëmshpërblime të përgjithshme dhe dëmshpërblime të shtuara, me zbritje – në rast se shteti nuk kërkon rimbursim për këtë – të shumës prej 27 000 EUR që ajo e ka marrë nga CICT-ja për dëmin e saj moral. Ajo u referohet elementeve mjekësore dhe psikiatrike të paraqitura prej saj në High Court për të vërtetuar ndikimin që kanë pasur mbi të abuzimet seksuale të kryera nga L.H. Duke pasur parasysh natyrën, kohëzgjatjen dhe pasojat e këtyre abuzimeve, paditësja çmon se shkelja e nenit 3 duhet të mbahet si tejet e rëndë. Ajo kërkon gjithashtu 5 104 EUR për dëm moral, ose shumën që ajo ka kërkuar, kundrejt dokumenteve përkatëse, dhe fituar si dëmshpërblime të posaçme në kuadrin e procedurës në High Court. Kjo shumë mendohet të mbulojë qoftë shpenzimet e kaluara, qoftë ato të ardhme, lidhur me abuzimet seksuale që ajo ka pësuar, konkretisht shpenzimet mjekësore, shpenzimet e udhëtimit dhe shpenzime të tjera anësore. Paditësja e pranon që shuma e dhënë nga CICT-ja dhe shuma që ajo ka marrë tashmë nga L.H. përbëjnë një zhdëmtim të pjesshëm.
198. Qeveria mbron mendimin se kërkesat e paditëses për dëmin material e atë moral nuk janë arsyetuar në mënyrë korrekte e nuk janë shoqëruar me dokumente të mjaftueshme përkatëse, dhe ajo nuk sheh asnjë lidhje shkakësore midis shkeljes së pësuar dhe ndonjë dëmi të çfarëdoshëm. Pa propozuar ndonjë shumë të caktuar që të jepet për dëmin moral, ajo çmon se përçapja e paditëses ku, për të përligjur pretendimin e saj, përmendet thjesht elementi që përkon me dëmin moral të shumës së dhënë nga High Court është njëherazi pa lidhje (ngaqë shuma në fjalë ka të bëjë me veprimet e L.H. dhe jo me ato të shtetit) dhe e pamjaftueshme (meqë L.H. nuk e ka kundërshtuar fare shumën e dhënë nga High Court). Ajo shpjegon se paditësja i ka marrë tashmë disa pagesa, se ajo ka në dispozicion të saj një varg mekanizmash përmbarimi kundër L.H., dhe se shteti nuk është përgjegjës për financat e L.H. Ajo thekson se shuma e dhënë nga CICT-ja është marrë nga fonde publike dhe vë në dukje se paditësja e ka pranuar që ky zhdëmtim duhej të merrej parasysh në kuadrin e dhënies eventuale të një shpërblimi të drejtë. Nga ana tjetër, ajo e kritikon faktin që paditësja e bazon kërkesën e saj për dëm material te shuma e dhënë nga High Court si dëmshpërblime të posaçme.
2. Vlerësimi i Gjykatës
199. Gjykata rikujton se neni 41 i jep asaj të drejtën që t’i caktojë palës së dëmtuar, nëse është nevoja, atë shpërblim që i duket si më i përshtatshëm.
200. Kur Gjykata del në përfundimin se një e dejtë e rëndësishme e mbrojtur nga Konventa ka qenë objekt i një shkeljeje që ka shkaktuar dhembje e vuajtje të mëdha, ajo mund të vendosë që të japë një zhdëmtim për dëmin moral (shih, për shembull, El Masri k. ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë [DhM], nr. 39630/09, § 269, GjEDNj 2012).
201. Për sa i përket dëmit material, duhet që të ketë një lidhje të hapur shkakësore midis dëmit të pretenduar nga paditësi dhe shkeljes së Konventës. Një përllogaritje e saktë e shumave të nevojshme për zhdëmtimin e plotë (restitutio in integrum) mund të bjerë ndesh me karakterin në thelb të pasigurt të dëmit që rrjedh nga shkelja, por megjithatë një dëmshpërblim mund të jepet. Ajo që duhet të përcaktohet në një rast të tillë është niveli i shpërblimit të drejtë që duhet t’i jepet secilit paditës për humbjet e veta materiale, qoftë të kaluara, qoftë të ardhme, dhe Gjykata gëzon në këtë fushë një kompetencë për vlerësim të cilën ajo e përdor në varësi të asaj që ajo e çmon si të drejtë (E. me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar, i cituar më lart, §§ 120-121).
202. Gjykata i ka mbajtur shënim elementet e provës që ka pranuar High Court për sa u përket humbjeve të shkuara e të ardhme materiale të paditëses (ku këto përbëheshin në thelb nga shpenzimet e shkuara e të ardhme lidhur me trajtimet mjekësore ose psikiatrike) si edhe shumën prej 5 104 EUR që i është caktuar asaj për këtë qëllim. Përveç kësaj, duke pasur parasysh natyrën dhe seriozitetin e keqtrajtimeve viktimë e të cilave ka qenë ajo, Gjykata çmon se e interesuara ka pësuar një dëm moral i cili nuk mund të kompensohet në mënyrë të mjaftueshme me konstatimin e një shkeljeje të Konventës. Duke e pranuar se është me vend që të bëhet dallimi midis zhdëmtimit që duhet të jepet në kuadër të kësaj padie, e cila ka si bosht përgjegjësinë e shtetit, dhe shumave të caktuara në përfundim të procedurës së brendshme, të cilat nuk kishin të bënin me këtë pikë, Gjykata çmon se çdo shumë e dhënë në bazë të nenit 41 duhet ta marrë në konsideratë zhdëmtimin e caktuar nga High Court (gjithsej 305 104 EUR), si edhe shumën e paguar tashmë ose që është për t’u paguar ende nga L.H. mbi këtë shumë. Është gjithashtu e udhës të merret parasysh zhdëmtimi që i është caktuar paditëses nga CICT-ja (53 962,24 EUR), në qoftë se shteti nuk e kërkon rimbursimin e tij. Të dyja këto shuma përmbajnë elemente që i përgjigjen dëmit material dhe dëmit moral.
203. Duke pasur parasysh shumat e marra deri tani nga paditësja si dëmshpërblim dhe pasigurinë për sa i përket çdolloj pagese të ardhme nga L.H., Gjykata vendos që t’i caktojë të interesuarës një shumë të përgjithshme për të kompensuar edhe humbjet e saj materiale, edhe dëmin e saj moral. Duke vendosur me paanësi, ajo i cakton pra paditëses një shumë prej 30 000 EUR për dëm material dhe për dëm moral, plus çdo shumë që mund të duhet si tatim apo si taksë mbi këtë vlerë.
(...)
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA,
(...)
3. Thotë, me njëmbëdhjetë vota në favor dhe gjashtë kundër, se ka pasur shkelje të nenit 3 të Konventës në anën e tij materiale për arsye të një mospërmbushjeje nga shteti të detyrimit të tij për ta mbrojtur paditësen, dhe e rrëzon për rrjedhojë prapësimin e Qeverisë për mungesë të hapur themelësie të këtij pretendimi;
4. Thotë, me njëmbëdhjetë vota në favor dhe gjashtë kundër, se ka pasur shkelje të nenit 13 të bashkuar me nenin 3 të Konventës në anën e tij materiale për arsye të pamundësisë për një ankim efektiv i cili do ta kishte lejuar paditësen që ta kundërshtonte mospërmbushjen nga shteti të detyrimit të tij për mbrojtje, dhe e rrëzon për rrjedhojë prapësimin e Qeverisë për mungesë të hapur themelësie të këtij pretendimi;
5. Thotë, njëzëri, se nuk ka pasur shkelje të nenit 3 të Konventës në anën e saj procedurale;
(...)
7. Thotë, me njëmbëdhjetë vota në favor dhe gjashtë kundër,
a) se shteti i paditur duhet t’i paguajë paditëses, brenda tre muajsh, shumat e mëposhtme:
i. 30 000 EUR (tridhjetë mijë euro), plus çdo shumë që mund të duhet si tatim a si taksë mbi këtë vlerë, për dëm material e moral; (...)
I hartuar në frëngjisht dhe në anglisht, pastaj i shpallur në seancë publike në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 28 janar 2014.
Michael O’BoyleDean Spielmann
ZëvendëssekretarKryetar
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të Rregullores, paraqitja e mendimeve më vete të mëposhtme:
– mendim pajtues i gjyqtares Ziemele;
– mendim i përbashkët pjesërisht kundërshtues i gjyqtarëve Zupančič, Gyulumyan, Kalaydjieva, De Gaetano e Wojtyczek; dhe
– mendim pjesërisht kundërshtues i gjyqtarit Charleton.
D.S.
M.O’B.
Mendimet e pakicës nuk janë përkthyer, por ato gjenden në anglishtdhe/ose në frëngjisht në versionet zyrtare të gjykimit, dhe mund të lexohen në bazën e të dhënave të Gjykatës HUDOC
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy