© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
Shënim informativ rreth jurisprudencës së Gjykatës Nr. 170
Janar 2014
O’Keeffe k. Irlandës [DhM] - 35810/09
Vendim 28.1.2014 [DhM]
Neni 3
Detyrime pozitive
Mospërmbushje nga shteti e detyrimit për të krijuar mekanizma të përshtatshëm për të mbrojtur një nxënëse të një shkolle kombëtare nga abuzimet seksuale të kryera ndaj saj nga një mësues: shkelje
Faktet – Paditësja ka pësuar abuzime seksuale të kryera nga një mësues (L.H.) më 1973, ndërkohë që ajo ishte nxënëse në një shkollë kombëtare të financuar me fonde publike, por pronare dhe administruese e së cilës ishte Kisha Katolike. Shkollat kombëtare, të ngritura në Irlandë që në fillimin e shekullit XIX, janë institucione arsimi fillor të financuara drejtpërdrejt nga shteti, por të administruara bashkërisht prej këtij të fundit, një Padron dhe disa përfaqësues vendorë. Në suazën e këtij sistemi, shteti jep pjesën kryesore të financimit dhe përcakton rregullat lidhur me çështje si programet dhe përgatitja e mësuesve, mirëpo shumica e këtyre shkollave janë pronë e klerikëve (Padronët) të cilët emërojnë në krye të tyre drejtorë (gjithashtu klerikë). Në çdo shkollë kombëtare, mësuesit përzgjidhen, merren në punë e pushohen nga puna prej Padronit dhe drejtorit.
L.H. dha dorëheqje nga detyra e tij në shtator 1973 pas disa ankesash për abuzime seksuale të paraqitura nga nxënës të tjerë. Megjithatë, në atë kohë, Ministria e Arsimit dhe e Shkencave nuk u informua për ankesat e drejtuara kundër mësuesit dhe askush nuk iu drejtua shërbimeve policore. L.H. u mor në punë nga një shkollë tjetër kombëtare, ku ai dha mësim deri në daljen e tij në pension më 1995. Paditësja i ndrydhi brenda vetes abuzimet seksuale viktimë e të cilave kishte qenë dhe ajo u bë e vetëdijshme për lidhjen që ekzistonte ndërmjet problemeve të saj psikologjike dhe dhunimeve që kishte pësuar vetëm në fundin e viteve 1990, pasi pati përfituar nga një përkrahje psikologjike me rastin e një hetimi policor rreth një ankese të bërë nga një tjetër ish-nxënëse. Ajo bëri një deponim në polici më 1997. Ndaj L.H. u ngritën më në fund 386 akuza për abuzime seksuale të cilat mendohej se i kishte kryer ndaj 21 ish-nxënësish të shkollës kombëtare që kishte frekuentuar paditësja. Më 1998, ai e pranoi fajësinë e vet për 21 akuza të përgjithësuara për çdo viktimë dhe u dënua me burgim.
Pas kësaj, paditësja fitoi një zhdëmtim nga Komisioni për Zhdëmtimin e Viktimave të Dëmeve të Shkaktuara nga Vepra Penale si edhe dëmshpërblime në kuadrin e një padie kundër L.H. Ajo nisi gjithashtu një padi civile për zhdëmtim ku ajo vinte në pikëpyetje pakujdesinë, përgjegjësinë për veprimet e tjetërkujt si edhe përgjegjësinë kushtetuese të autoriteteve të ndryshme të shtetit (për arsye teknike, ajo nuk ngriti padi ndaj Kishës). Mirëpo, High Court i rrëzoi pretendimet e saj në një vendim të cilin Gjykata e Lartë e la në fuqi më 19 dhjetor 2008, me arsyetimin, kryesisht, se Kushtetuta irlandeze parashikonte posaçërisht një kalim të ë drejtës për administrimin e përditshëm të shkollave kombëtare në favor të disa interesave të përfaqësuara nga Padroni dhe drejtori, se drejtori ishte i padituri më i përshtatshëm kundër të cilit duhej të drejtohej padia për pakujdesi dhe se drejtori kishte vepruar si nëpunës i Kishës dhe jo i shtetit.
Në kërkesën e saj drejtuar Gjykatës, paditësja mbron konkretisht mendimin se shteti irlandez nuk ka ngritur një sistem arsimi fillor të aftë për ta mbrojtur atë nga abuzimet (neni 3 i Konventës) dhe ankohet për më tepër për pamundësinë në të cilën gjendet ajo për t’iu njohur një mospërmbushje nga ana e shtetit e detyrimit të tij për mbrojtje si edhe për të fituar zhdëmtim lidhur me këtë (neni 13).
Ligji – Neni 3
a) Ana materiale – Autoritetet publike kanë detyrimin, që është i pandashëm nga misioni i tyre, për t’i mbrojtur fëmijët nga keqtrajtimet, sidomos në kontekstin e arsimit fillor, nëse është nevoja përmes miratimit të masave dhe të garancive të posaçme. Për këtë qëllim, natyra e abuzimeve seksuale me të mitur, sidomos kur autori i këtyre abuzimeve është në pozita autoriteti në raport me fëmijën, bën që ekzistenca e mekanizmave të dobishëm për zbulim e sinjalizim të përbëjë një kusht themelor për zbatimin efektiv të ligjeve penale që mendohet se i parandalojnë abuzime të tilla. Një shtet nuk mund t’u shmanget detyrimeve të tij ndaj të miturve që shkollohen në institucionet e arsimit fillor duke ua deleguar detyrimet e sipërpërmendura disa organizmave privatë apo individëve. Shteti nuk mund të përjashtohet aq më tepër nga detyrimi i tij pozitiv për ta mbrojtur një fëmijë thjesht për arsye të zgjedhjes së bërë prej këtij të fundit midis opsioneve arsimore të lejuara nga shteti (shkollë kombëtare, shkollë me pagesë ose mësimdhënie në banesë).
Gjykata duhet të përcaktojë pra nëse kuadri ligjor i vendosur nga shteti, dhe sidomos me mekanizmat e tij për zbulim e sinjalizim, ua ofronte fëmijëve që shkolloheshin nëpër shkollat kombëtare një mbrojtje efektive nga rreziku i abuzimeve seksuale për të cilat mund të thuhej se autoritetet kishin ose ishte dashur të kishin dijeni në kohën e ngjarjeve. Meqenëse ngjarjet përkatëse të kësaj çështjeje i përkasin vitit 1973, pika lidhur me përgjegjësinë eventuale të shtetit në këtë rast duhet të vlerësohet me kutin e rrethanave dhe të normave që ekzistonin në atë kohë, duke mos e marrë parasysh, sidomos, vetëdijesimin në shoqëri për rrezikun e abuzimeve seksuale ndaj të cilit janë të ekspozuar të miturit në një kontekst arsimor.
Askush nuk e kundërshton që paditësja ka pësuar abuzime seksuale nga ana e L.H., as që këto keqtrajtime përfshihen në përcaktimet e nenit 3 të Konventës. Po ashtu, midis palëve nuk ka kundërshti të mëdha lidhur me strukturën e sistemit irlandez të arsimit fillor, fryt i përvojës historike të pashoqe të Irlandës e cila nuk ka pasur të ngjashme me të në Evropë, në kuadrin e të cilit arsimi fillor sigurohej nga shteti (i cili përcaktonte programet, u jepte mësuesve lejet për mësimdhënie dhe financonte institucionet shkollore), ndërsa administrimin e përditshëm e siguronin shkollat kombëtare. Por nga ana tjetër, palët kanë mendime të kundërta rreth pikës se çfarë përgjegjësie i ngarkonin shtetit lidhur me këtë e drejta e brendshme dhe Kushtetuta.
Për të përcaktuar përgjegjësinë e shtetit, Gjykata duhet të shqyrtojë nëse, në kohën e ngjarjeve, shteti i paditur ishte dashur të ishte i vetëdijshëm për rrezikun që të mitur si paditësja të ishin viktima abuzimesh seksuale në një shkollë kombëtare dhe nëse, nëpërmjet sistemit të tij juridik, ai u ofronte fëmijëve një mbrojtje të mjaftueshme nga trajtime të tilla.
Gjykata çmon se shteti duhej të kishte dijeni për nivelin e kriminalitetit seksual që prekte të miturit, përderisa përpara viteve 1970 ndjekjet penale për krime të tilla kishin qëndruar në një nivel të pandryshueshëm. Disa raporte të hartuara midis viteve 1930 dhe viteve 1970 paraqisnin të dhëna statistikore të hollësishme në fushën e ndjekjeve penale në Irlandë lidhur me vepra me karakter seksual të kryera ndaj fëmijëve. Raporti Ryan i majit 2009 paraqet gjithashtu edhe ankesa drejtuar autoriteteve përpara e gjatë viteve 1970 lidhur me abuzime seksuale të kryera nga persona të rritur ndaj të miturve. Sado që ky raport ka të bëjë në thelb me reformatory schools e me industrial schools, ai përmend gjithashtu edhe ankesa lidhur me abuzime të kryera nëpër shkollat kombëtare.
Për rrjedhojë, përderisa e braktiste kontrollin e arsimimit të një shumice dërrmuese fëmijësh në moshë të re duke e lënë në duar instancash jo publike, shteti ishte dashur të miratonte masa dhe garanci të përshtatshme për t’i mbrojtur fëmijët nga rreziqet potenciale për sigurinë e tyre. Kështu ai ishte dashur të paktën të krijonte mekanizma efektivë zbulimi dhe sinjalizimi të dhunimeve eventuale përkatësisht nga një organ i kontrolluar prej shtetit dhe për një organ të tillë.
Mirëpo mekanizmat në fuqi, që përmenden nga Qeveria, ishin pa kurrfarë efektiviteti. As Rregullorja e vitit 1965 për shkollat kombëtare, as Direktiva e vitit 1970 e cila përshkruante praktikën që duhej të ndiqej për t’u ankuar për mësuesit nuk tregojnë që për ndonjë autoritet të çfarëdoshëm të shtetit të kishte ndonjë detyrim për ta mbikëqyrur mënyrën se si mësuesit i trajtonin nxënësit e tyre, apo që të ishte parashikuar ndonjë procedurë e tillë që ta nxiste një fëmijë a një prind për t’iu drejtuar drejtpërdrejt një autoriteti të shtetit për të denoncuar keqtrajtime. Përkundrazi, vetë teksti i Direktivës i orientonte shprehimisht ata persona që dëshironin të ankoheshin për mësuesit te drejtori, në përgjithësi një prift vendas si në çështjen në fjalë, me fjalë të tjera drejt një autoriteti jo publik. Kështu, ndërkohë që disa ankesa lidhur me të interesuarin iu drejtuan më 1971 dhe më 1973 drejtorit të shkollës së paditëses, ky i fundit nuk njoftoi për këtë asnjë autoritet të shtetit. Po ashtu, sistemi i inspektorëve shkollorë, i cili përmendet gjithashtu nga Qeveria, nuk i detyronte inspektorët që të interesoheshin për mënyrën se si mësuesit i trajtonin nxënësit e tyre dhe që të kryenin gjurmime për këtë qëllim, përderisa misioni i tyre parësor ishte që të mbikëqyrnin shërbimet arsimore dhe që t’i raportonin ministrit për këtë qëllim. Ndërkohë që inspektori i caktuar në këtë shkollë bëri gjashtë vizita nga viti 1969 deri më 1973, atij nuk iu drejtua kurrë asnjë pretendim lidhur me L.H. Në të vërtetë, asnjë autoritet i shtetit nuk u informua për ankesa lidhur me sjelljet e L.H. përpara se ky i fundit të dilte në pension më 1995. Për mendimin e Gjykatës, një mekanizëm zbulimi e sinjalizimi që lejonte kryerjen e mbi 400 incidenteve abuzimesh nga një mësues për një periudhë aq të gjatë nuk mund të paraqitet veçse si jo efektiv.
Është e arsyeshme të hamendësohet që, nëse do të ishin marrë masa të duhura pas ankesës së vitit 1971, paditësja e çështjes në fjalë nuk do të kishte qenë e detyruar t’u nënshtrohej përsëri dy vjet më vonë e në të njëjtën shkollë abuzimeve nga ana e të njëjtit mësues. Përkundrazi, mungesa e çdolloj mekanizmi kontrolli efektiv nga shteti për t’i parandaluar rreziqet e njohura të abuzimeve seksuale ka sjellë si pasojë në çështjen në fjalë që drejtori, një autoritet jo publik, nuk i ndoqi fare ankesat e para për abuzime seksuale të drejtuara kundër L.H., që ky i fundit mundi edhe më pas të abuzonte me paditësen dhe, në mënyrë më të gjerë, që ai mundi të kryejë për një periudhë të gjatë sulme të rënda seksuale ndaj shumë nxënësish të tjerë në të njëjtën shkollë kombëtare. Prandaj, shteti nuk e ka përmbushur detyrimin e tij pozitiv për ta mbrojtur paditësen e çështjes në fjalë nga abuzimet seksuale.
Përfundimi: shkelje (njëmbëdhjetë vota në favor dhe gjashtë kundër).
b) Ana procedurale – Paraqitja më 1995 pranë shërbimeve policore e një ankese të drejtuar kundër L.H. për abuzime seksuale ndaj një nxënëseje të shkollës kombëtare të frekuentuar nga paditësja ka çuar menjëherë në çeljen e një hetimi, gjatë të cilit paditësja ka mundur të bëjë një deponim. Në vijim të këtij hetimi, ndaj mësuesit janë ngritur akuza të shumta për abuzime seksuale, pastaj ai është dënuar dhe futur në burg. Paditësja nuk i ka kundërshtuar as lejen që i është dhënë L.H. për të pranuar fajësinë e vet për akuza përfaqësuese, as dënimin e shpallur kundër tij.
Përfundimi: jo shkelje (njëzëri).
Neni 13 i bashkuar me nenin 3: Paditësja ishte dashur të kishte një mundësi ankimi që të lejonte përcaktimin e një përgjegjësie eventuale të shtetit. Prandaj, procedurat civile që përmend Qeveria, të cilat kishin të bënin me persona të tjerë dhe me instanca jo publike, duhet të konsiderohen si jo efektive në çështjen në fjalë, pavarësisht nga perspektivat e tyre për sukses. Po ashtu, sado që dënimi i L.H. është diçka qendrore për anën procedurale të nenit 3, ai nuk mund të barazohet me një mundësi efektive ankimi për paditësen në kuptimin e nenit 13.
Për sa u përket mundësive të pretenduara për ankim kundër shtetit, nuk është vërtetuar që ndonjë nga mundësitë për ankim të brendshëm (përgjegjësi e shtetit për veprimin e tjetërkujt, padi për pakujdesi të drejtpërdrejtë kundër shtetit ose padi për përgjegjësi kushtetuese) t’i ketë mundësuar paditëses që t’i dëgjohej në mënyrë efektive pretendimi se shteti nuk e kishte mbrojtur nga abuzimet.
Përfundimi: shkelje (njëmbëdhjetë vota në favor dhe gjashtë kundër).
Neni 41 : Dhënie e një shume të përgjithshme prej 30 000 EUR për dëm material e dëm moral, duke pasur parasysh dëmshpërblimin e marrë tashmë nga paditësja dhe pasigurinë që i rrethon pagesat e ardhshme nga ana e L.H.
© Këshilli i Europës/Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut
Kjo përmbledhje nuk është detyruese për Gjykatën.
Klikoni këtu për Shënimet informative rreth jurisprudencës
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy