© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
ISH-SEKSIONI I PESTË
ÇËSHTJA E OLEKSANDR VOLKOV kundër UKRAINËS
(Kërkesa nr. 21722/11)
VENDIM
(Themelet)
Ky vendim është korrigjuar më 9 prill 2013
sipas nenit 81 të Rregullores së Gjykatës
STRASBURG
9 janar 2013
FINAL
27/05/2013
Ky vendim ka marrë formë të prerë në pajtim me nenin 44 § 2 të Konventës. Ai mund t’i nënshtrohet rishikimit redaktues.
Në çështjen e Oleksandr kundër Ukrainës,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (ish-Seksioni i Pestë), në Dhomën e përbërë nga:
Dean Spielmann, Kryetar,
Mark Villiger,
Boštjan M. Zupančič,
Ann Power-Forde,
Ganna Yudkivska,
Angelika Nußberger,
André Potocki, gjyqtarë,
dhe Claudia Westerdiek, Kancelare e Seksionit,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 11 dhjetor 2012,
Shpall vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në po atë datë:
PROCEDURA
1. Çështja zuri fill me një kërkesë (nr. 21722/11) kundër Ukrainës e depozituar sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (“Konventa”) nga një shtetas ukrainas, Z. Oleksandr Fedorovych Volkov (“kërkuesi”), më 30 mars 2011.
2. Kërkuesi përfaqësohej nga Z. P. Leach dhe Znj. J. Gordon, avokatë nga Qendra Evropiane e Avokaturës për të Drejtat e Njeriut në Londër (angl. “EHRAC”). Qeveria e Ukrainës (“Qeveria”) përfaqësohej nga Agjentja e saj, Znj. Lutkovska, në vazhdim nga Z. N. Kulchytskyy, nga Ministria e Drejtësisë.
3. Kërkuesi u ankua për shkeljen e të drejtave të tij nga Konventa me rastin e shkarkimit të tij nga posti i gjyqtarit në Gjykatën Supreme. Në mënyrë të veçantë, ai pretendoi sipas nenit 6 të Konventës që: (i) çështja e tij nuk ishte shqyrtuar nga një “tribunal i pavarur dhe i paanshëm”; (ii) procedurat para Këshillit të Lartë të Drejtësisë (angl. “HCJ”) kishin qenë të padrejta, për faktin se ato nuk ishin zhvilluar në përputhje me procedurën e parashikuar nga e drejta vendase e cila përmbante mbrojtje të rëndësishme procedurale, përfshirë periudhat kufizuese për dënimet disiplinore; (iii) Parlamenti kishte miratuar një vendim për shkarkimin e tij në një mbledhje plenare pa e shqyrtuar çështjen si duhej dhe duke abuzuar me sistemin e votimit elektronik; (iv) çështja e tij nuk ishte dëgjuar nga një “tribunal i ngritur sipas ligjit”; (v) vendimet në çështjen e tij ishin marrë pa bërë vlerësimin e duhur të provave, dhe argumente të rëndësishme të paraqitura nga mbrojtja nuk ishin adresuar si duhej; (vi) mungesa e kompetencës së mjaftueshme nga ana e Gjykatës më të Lartë Administrative (angl. “HAC”) për të shqyrtuar aktet e miratuara nga HCJ kishte qenë kundër “të drejtës për mundësinë për t’iu qasur gjykatës” që kishte ai; dhe (vii) parimi i barazisë së armëve nuk ishte respektuar. Gjithashtu, kërkuesi u ankua që shkarkimi i tij nuk kishte qenë në pajtim me nenin 8 të Konventës dhe që ai nuk kishte pasur zgjidhje efektive në atë aspekt, në kundërshtim me nenin 13 të Konventës.
4. Më 18 tetor 2011 kërkesa u deklarua pjesërisht e papranueshme ankesat e mësipërme iu komunikuan Qeverisë. Gjithashtu, u vendos t’i jepej përparësi kërkesës (neni 41 i Rregullores së Gjykatës).
5. Kërkuesi dhe Qeveria respektivisht paraqitën vërejtjet e tyre me shkrim (rregulla 54 § 2 (b)).
6. U zhvillua një seancë publike në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, më 12 qershor 2012 (neni 59 § 3).
Para Gjykatës dolën:
(a) për Qeverinë
Z.N. Kulchytskyy, Agjentë,
Z.V. Nasad,
Z.M. Bem,
Z.V. Demchenko,
Znj.N. Sukhova, Këshilltarë;
(b) për kërkuesin
Z.P. Leach,Avokat,
Znj.J. Gordon,
Znj.O. Popova,Këshilltarë.
Kërkuesi ishte gjithashtu i pranishëm.
Gjykata dëgjoi deklarata nga Z. N. Kulchytskyy, Z. P. Leach dhe Znj. J. Gordon, si dhe përgjigjet nga Z. N. Kulchytskyy dhe Z. P. Leach ndaj pyetjeve që iu drejtuan palëve.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
7. Kërkuesi është i lindur në vitin 1957 dhe jeton në Kyiv.
A. Sfondi i çështjes
8. Në vitin 1983 kërkuesi u emërua në postin e gjyqtarit të një gjykate qarku. Në kohën materiale, e drejta vendase nuk kërkonte që gjyqtarët të bënin betimin pas marrjes së detyrës.
9. Më 5 qershor 2003 kërkuesi u zgjodh në postin e gjyqtarit të Gjykatës Supreme.
10. Më 2 dhjetor 2005 ai po ashtu u zgjodh zëvendës kryetar i Këshillit të Gjyqtarëve të Ukrainës (organ i vetqeverisjes gjyqësore).
11. Më 30 mars 2007 kërkuesi u zgjodh kryetar i Dhomës Ushtarake të Gjykatës Supreme.
12. Më 26 qershor 2007 Asambleja e Gjyqtarëve të Ukrainës gjeti që një gjyqtare tjetër, V.P., nuk mund të vepronte më si anëtare e HCJ dhe që mandati i saj duhet të përfundonte. V.P. e kontestoi atë vendim para gjykatave. Ajo më tej u ankua para komisionit parlamentar për gjyqësorin (Комітет Верховної Ради України з питань правосуддя)[1] (“komisioni parlamentar”) në lidhje me këtë çështje.
13. Më 7 dhjetor 2007 Asambleja e Gjyqtarëve të Ukrainës e zgjodhi kërkuesin në postin e anëtarit të HCJ dhe kërkoi në Parlament që kërkuesi të bënte betimin e anëtarit të HCJ në mënyrë që ai të lejohej të merrte detyrën në HCJ, siç kërkohej nga seksioni 17 i Ligjit për HCJ të vitit 1998. Një propozim i ngjashëm u bë edhe nga kryetari i Këshillit të Gjyqtarëve të Ukrainës.
14. Në përgjigje ndaj kësaj, kryetari i komisionit parlamentar, S.K., i cili ishte njëkohësisht anëtar i HCJ, informoi Këshillin e Gjyqtarëve të Ukrainës që çështja duhet të shqyrtohej me kujdes bashkë me pretendimet e V.P. sipas të cilave vendimi i Asamblesë së Gjyqtarëve të Ukrainës për t’i dhënë fund mandatit të saj si anëtare e HCJ kishte qenë i paligjshëm.
15. Kërkuesi nuk e mori detyrën si anëtar i HCJ.
B. Procedurat kundër kërkuesit
16. Ndërkohë, S.K. dhe dy anëtarë të komisionit parlamentar bënë kërkesa drejtuar HCJ duke kërkuar që kjo e fundit të zhvillonte hetime paraprake mbi sjelljen e pahijshme të mundshme nga ana e kërkuesit, duke iu referuar, mes të tjerash, ankesave të V.P.
17. Më 16 dhjetor 2008, R.K., anëtar i HCJ, pasi kishte zhvilluar hetime paraprake, bëri një kërkesë në HCJ duke kërkuar që kjo e fundit të përcaktonte nëse kërkuesi mund të shkarkohej nga posti i gjyqtarit për “shkelje të betimit”, duke pretenduar që në disa raste kërkuesi, si gjyqtar i Gjykatës Supreme, kishte shqyrtuar vendimet e shpallura nga Gjyqtari B., i cili ishte i afërm i tij, më saktësisht vëllai i bashkëshortes së tij. Përveç kësaj, gjatë pjesëmarrjes si palë e tretë në procedurat e iniciuara nga V.P. (në lidhje me vendimin e lartpërmendur të Asamblesë së Gjyqtarëve të Ukrainës për ndërprerjen e qëndrimit të saj në detyrë), kërkuesi nuk kishte kërkuar tërheqjen e të njëjtit gjyqtar, B., i cili ishte anëtar i dhomës së gjykatës së apelit që kishte dëgjuar atë çështje. Më 24 dhjetor 2008, R.K. e plotësoi kërkesën e tij duke dhënë shembuj të tjerë të çështjeve të cilat ishin vendosur nga Gjyqtari B. dhe më pas ishin shqyrtuar nga kërkuesi. Disa nga veprimet e kërkuesit të cilat shërbyen si bazë për kërkesën datonin në nëntor 2003.
18. Më 20 mars 2009, V.K., një anëtar i HCJ, pasi kishte zhvilluar hetime paraprake, bëri një kërkesë tjetër drejtuar HCJ duke kërkuar shkarkimin e kërkuesit nga posti i gjyqtarit për “shkelje të betimit”, duke pretenduar që kërkuesi kishte kryer disa shkelje të rënda procedurale kur, në vazhdën e çështjeve lidhur me mosmarrëveshje të korporatave në lidhje me një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar. Disa nga veprimet e kërkuesit të cilat shërbyen si bazë për kërkesën datonin në korrik 2006.
19. Më 19 dhjetor 2008 dhe 3 prill 2009 këto kërkesa iu komunikuan kërkuesit.
20. Më 22 mars 2010 V.K. u zgjodh kryetar i HCJ.
21. Më 19 maj 2010[2] HCJ e ftoi kërkuesin në një seancë dëgjimore për datën 25 maj 2010 lidhur me shkarkimin e tij. Në një përgjigje të datës 20 maj 2010[3] kërkuesi e informoi HCJ që ai nuk mund të merrte pjesë në atë seancë dëgjimore meqenëse kryetari i Gjykatës Supreme e kishte urdhëruar të udhëtonte për në Sevastopol nga 24 deri më 28 maj 2010 për të ofruar këshillim në lidhje me praktikat më të mira pranë një gjykate vendase. Kërkuesi i kërkoi HCJ që ta shtynte seancën dëgjimore.
22. Më 21 maj 2010 HCJ i dërgoi kërkuesit një njoftim ku e informonte që seanca lidhur me shkarkimin e tij ishte shtyrë deri më 26 maj 2010. Sipas kërkuesit, ai e mori njoftimin më 28 maj 2010.
23. Më 26 maj 2010 HCJ shqyrtoi kërkesat e depozituara nga R.K. dhe V.K. dhe miratoi dy vendime lidhur me bërjen e parashtresave në Parlament për ta shkarkuar kërkuesin nga posti i gjyqtarit për “shkelje të betimit”. V.K. kryesonte seancën dëgjimore. R.K. dhe S.K. gjithashtu morën pjesë si anëtarë të HCJ. Kërkuesi mungoi.
24. Vendimet u votuan nga gjashtëmbëdhjetë anëtarë të HCJ që ishin të pranishëm, tre prej të cilëve ishin gjyqtarë.
25. Më 31 maj 2010 V.K., si kryetar i HCJ, depozitoi dy parashtresa në Parlament për shkarkimin e kërkuesit nga posti i gjyqtarit.
26. Më 16 qershor 2010, gjatë një seance të kryesuar nga S.K., komisioni parlamentar shqyrtoi parashtresat e HCJ lidhur me kërkuesin dhe miratoi një rekomandim për shkarkimin e tij. Anëtarët e komisionit të cilët kishin kërkuar që HCJ të zhvillonte hetime paraprake në lidhje me kërkuesin gjithashtu votuan pro rekomandimit. Përveç S.K., një anëtar tjetër i komisionit ishte marrë më parë me çështjen e kërkuesit si anëtar i HCJ dhe kishte votuar më pas për rekomandimin si pjesë e komisionit. Sipas dosjes siç qëndronte ajo në datën e konsultimeve të Gjykatës,[4] kërkuesi mungoi në seancën dëgjimore të komisionit.
27. Më 17 qershor 2010 parashtresat e HCJ dhe rekomandimi i komisionit parlamentar u shqyrtuan në një mbledhje plenare në Parlament. Fjala iu dha S.K. dhe V.K., të cilët raportuan në lidhje me çështjen e kërkuesit. Kërkuesi ishte i pranishëm në mbledhje. Pas konsultimeve, Parlamenti votoi për shkarkimin e kërkuesit nga posti i gjyqtarit për “shkelje të betimit” dhe miratoi një rezolutë për atë qëllim.
28. Sipas kërkuesit, gjatë votimit elektronik, shumica e anëtarëve të Parlamentit mungonin. Anëtarët e Parlamentit që ishin të pranishëm përdorën kartat e votimit të kolegëve të tyre që mungonin. Gjykatës i janë dorëzuar dëshmi nga anëtarët e Parlamentit lidhur me keqpërdorimin e kartave të votimit dhe një video-incizim i pjesëve përkatëse të mbledhjes plenare.
29. Kërkuesi e kontestoi shkarkimin e tij para HAC. Kërkuesi pretendoi që: HCJ nuk kishte vepruar në mënyrë të pavarur dhe të paanshme; ajo nuk e kishte informuar atë si duhej lidhur me seancat dëgjimore mbi çështjen e tij; ajo nuk kishte zbatuar procedurën për shkarkimin e një gjyqtari të Gjykatës Supreme e cila parashikohet në kreun katër të Ligjit për HCJ të vitit 1998, i cili ofronte një paketë garancish procedurale siç ishte informimi i gjyqtarit lidhur me procedurat disiplinore dhe pjesëmarrjen e tij aktive në to, një kornizë kohore për procedurat, votimin e fshehtë, dhe një periudhë kufizimi për dënimet disiplinore; gjetjet e HCJ kishin qenë të pabazuara dhe të paligjshme; komisioni parlamentar nuk i kishte dhënë atij një seancë dëgjimore dhe kishte vepruar në mënyrë të paligjshme dhe të njëanshme; dhe Parlamenti kishte miratuar një rezolutë për shkarkimin e kërkuesit në mungesë të shumicës së anëtarëve të Parlamentit, çka ishte në shkelje të nenit 84 të Kushtetutës, seksionit 24 të Ligjit për Statusin e Anëtarëve të Parlamentit të vitit 1992 dhe rregullës 47 të Rregullores së Parlamentit.
30. Kërkuesi për këto arsye kërkoi që vendimet e kundërshtuara dhe parashtresat e bëra nga HCJ dhe rezolute parlamentare të shpalleshin të paligjshme dhe të prisheshin.
31. Në përputhje me nenin 171-1 të Kodit të Drejtësisë Administrative (“Kodi”), çështja iu caktua dhomës speciale të HAC.
32. Kërkuesi kërkoi tërheqjen e dhomës, duke pretenduar që ajo ishte përbërë në mënyrë të paligjshme dhe që ishte e njëanshme. Kërkesa e tij u refuzua si e pabazuar. Sipas kërkuesit, disa nga kërkesat e tij që të mblidheshin dhe të pranoheshin prova të ndryshme dhe të ftoheshin dëshmitarë u refuzuan.
33. Më 6 shtator 2010 kërkuesi e plotësoi pretendimin e tij me dëshmi nga anëtarët e Parlamentit lidhur me keqpërdorimin e kartave të votimit gjatë votimit për shkarkimin e tij dhe një video-incizim të pjesës përkatëse të mbledhjes parlamentare.
34. Pas disa seancave, më 19 tetor 2010 HAC mori në shqyrtim pretendimin e kërkuesit dhe shpalli një vendim. Ajo gjeti që kërkuesi kishte marrë përsipër detyrën e gjyqtarit në vitin 1983, në një kohë kur e drejta vendase nuk parashikonte bërjen e betimit nga një gjyqtar. Megjithatë, kërkuesi ishte shkarkuar për shkelje të standardeve themelore të profesionit juridik, çka parashikohej nga seksionet 6 dhe 10 të Ligjit për Statusin e Gjyqtarëve të vitit 1992 dhe kishte qenë ligjërisht detyrues në kohën e veprimeve të kryera nga kërkuesi.
35. Më tej gjykata gjeti që vendimi dhe parashtresa e HCJ në lidhje me kërkesën e R.K. kishte qenë e paligjshme, sepse kërkuesi dhe Gjyqtari B. nuk ishin konsideruar të afërm sipas legjislacionit në fuqi në kohën materiale. Përveç kësaj, për sa u përket procedurave në të cilat kërkuesi kishte qenë palë e tretë, ai nuk kishte pasur asnjë detyrim për të kërkuar tërheqjen e Gjytarit B. Sidoqoftë, HAC refuzoi të prishte aktet e HCJ në lidhje me kërkesën e R.K., duke vërejtur që sipas nenit 171-1 të Kodit ajo nuk kishte pushtet të merrte një masë të tillë.
36. Për sa i përket vendimit dhe parashtresës së bërë nga HCJ në lidhje me kërkesën e V.K., ato u gjetën të ligjshme dhe të bazuara.
37. Për sa i përket kundërshtimeve të kërkuesit që HCJ duhet të kishte zbatuar procedurën e parashikuar në kreun katër të Ligjit për HCJ të vitit 1998, gjykata shënoi që në përputhje me seksionin 37 § 2 të atij Ligji, ajo procedurë zbatohej vetëm në rastet që përfshinin dënime të tilla si qortimin apo uljen e gradës në kategorinë e klasifikimit. Përgjegjësia për “shkeljen e betimit” në formën e shkarkimit parashikohej nga neni 126 § 5 (5) i Kushtetutës dhe procedura që duhej ndjekur ishte e ndryshme, konkretisht ishte ajo që përshkruhej në seksionin 32 të Ligjit për HCJ të vitit 1998, i përmbajtur në kreun dy të atij Ligji. Gjykata arriti në përfundimin që procedura e cituar nga kërkuesi nuk zbatohej në rastin e shkarkimit të një gjyqtari për “shkelje të betimit”. Prandaj nuk kishte pasur baza për zbatimin e periudhave të kufizimit të përmendura në seksionin 36 të Ligjit për Statusin e Gjyqtarëve të vitit 1992 dhe seksionit 43 të Ligjit për HCJ të vitit 1998.
38. Më pas gjykata gjeti që kërkuesi kishte munguar në seancën e HCJ pa arsye të vlefshme. Më tej ajo vërejti që nuk kishte pasur shkelje procedurale në procedurat para komisionit parlamentar. Për sa u përket shkeljeve procedurale në mbledhjen plenare, rezoluta parlamentare për shkarkimin e kërkuesit ishte votuar nga shumica e Parlamentit dhe kjo ishte konfirmuar nga procesverbali i pjesëmarrjes. Më tej gjykata shënoi që ajo nuk kishte pushtet të shqyrtonte kushtetutshmërinë e rezolutave parlamentare, meqenëse kjo hynte nën juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese.
39. Seancat në HAC ishin mbajtur në praninë e kërkuesit dhe palëve të tjera në mosmarrëveshje.
C. Ngjarjet në lidhje me emërimin e kryetarëve dhe zëvendës kryetarëve të gjykatave vendase dhe, në mënyrë të veçantë, kryetarit të HAC
40. Më 22 dhjetor 2004 Presidenti i Ukrainës, në pajtim me seksionin 20 të Ligjit për Sistemin Gjyqësor të vitit 2002, emëroi Gjyqtarin P. në postin e kryetarit të HAC.
41. Më 16 maj 2007 Gjykata Kushtetuese gjeti që seksioni 20 § 5 i Ligjit për Sistemin Gjyqësor të vitit 2002, në lidhje me procedurën për emërimin dhe shkarkimin e kryetarëve dhe zëvendës kryetarëve të gjykatave nga Presidenti i Ukrainës, ishte antikushtetues. Ajo rekomandoi që Parlamenti të miratonte amendamentet përkatëse legjislative për ta rregulluar këtë çështje si duhej.
42. Më 30 maj 2007 Parlamenti miratoi një rezolutë që paraqiste një procedurë të përkohshme për emërimin e kryetarëve dhe zëvendës kryetarëve të gjykatave. Rezoluta parashikonte që HCJ do të kishte pushtet të emëronte kryetarët dhe zëvendës kryetarët e gjykatave.
43. Në të njëjtën datë, kërkuesi kontestoi rezolutën para gjykatës duke pretenduar, inter alia, që ajo ishte në shpërputhje me Ligjin e HCJ të vitit 1998 dhe me ligje të tjera të Ukrainës. Gjykata menjëherë shpalli një vendim të përkohshëm për pezullimin e hyrjes në fuqi të rezolutës.
44. Më 31 maj Këshilli i Gjyqtarëve të Ukrainës, duke pasur parasysh hendekun legjislativ për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 16 maj 2007, miratoi një vendim sipas të cilit i mvishte vetes pushtet të përkohshëm për emërimin e kryetarëve dhe zëvendës kryetarëve të gjykatave.
45. Më 14 qershor 2007 gazeta parlamentare botoi një opinion nga kryetari i komisionit parlamentar, S.K., ku thuhej që gjykatat vendase nuk kishin pushtet të shqyrtonin rezolutën e lartpërmendur të Parlamentit dhe që gjyqtarët që e shqyrtonin atë rezolutë do të shkarkoheshin për “shkelje të betimit”.
46. Më 26 qershor 2007 Asambleja e Gjyqtarëve të Ukrainës mbështeti vendimin e Këshillit të Gjyqtarëve të Ukrainës të datës 31 maj 2007.
47. Më 21 shkurt 2008 gjykata që shqyrtoi rezolutën parlamentare e prishi atë si të paligjshme.
48. Më 21 dhjetor 2009 Presidiumi i HAC vendosi që Gjyqtari P. do të vazhdonte të kryente detyrat e kryetarit të HAC pas skadimit të mandatit pesë-vjeçar të parashikuar në seksionin 20 të Ligjit për Sistemin Gjyqësor të vitit 2002.
49. Më 22 dhjetor 2009 Gjykata Kushtetuese miratoi një vendim ku interpretoheshin dispozitat e seksionit 116 § 5 (4) dhe seksionit 20 § 5 të Ligjit për Sistemin Gjyqësor të vitit 2002. Ajo gjeti që ato dispozita duhet të kuptoheshin vetëm si të tilla që i jepnin pushtet Këshillit të Gjyqtarëve të Ukrainës që të bënte rekomandime lidhur me emërimin e gjyqtarëve në poste administrative nga një organ (ose zyrtar) tjetër i përcaktuar me ligj. Më tej gjykata e detyroi Parlamentin të vepronte menjëherë në përputhje me vendimin e 16 majit 2007 dhe të miratonte amendamentet legjislative përkatëse.
50. Më 24 dhjetor 2009 Konferenca e Gjyqtarëve të Gjykatave Administrative vendosi që Gjyqtari P. do të vazhdonte të mbetej në detyrën e kryetarit të HAC.
51. Më 25 dhjetor 2009 Këshilli i Gjyqtarëve të Ukrainës prishi vendimin e 24 dhjetorit 2009 si të paligjshëm dhe vërejti që, në pajtim me seksionin 41 § 5 të Ligjit për Sistemin Gjyqësor të vitit 2002, zëvendës kryetari i parë i HAC, Gjyqtari S., duhet të kryente detyrat e kryetarit të asaj gjykate.
52. Më 16 janar 2010 Prokuroria e Përgjithshme lëshoi një kumtesë për shtyp ku thuhej që organi ose zyrtari publik që kishte fuqinë të emëronte dhe të shkarkonte kryetarët e gjykatave nuk ishte specifikuar ende nga ligjet e Ukrainës, ndërkohë që Këshilli i Gjyqtarëve të Ukrainës kishte të drejtë të jepte vetëm rekomandime në lidhje me ato çështje. Gjyqtari P. nuk ishte shkarkuar nga posti i kryetarit të HAC dhe prandaj vazhdonte të qëndronte në atë post në mënyrë të ligjshme.
53. Gjyqtari P. vazhdoi të vepronte si kryetar i HAC.
54. Më 25 mars 2010 Gjykata Kushtetuese gjeti që rezoluta parlamentare e datës 30 maj 2007 ishte antikushtetuese.
55. Dhoma e HAC që shqyrtonte çështjet e përmendura në nenin 171-1 të Kodit u krijua në maj dhe qershor 2010 duke përdorur procedurën e parashikuar në seksionin 41 të Ligjit për Sistemin Gjyqësor të vitit 2002.
II. E DREJTA PËRKATËSE VENDASE
A. Kushtetuta e 28 qershorit 1996
56. Neni 6 i Kushtetutës deklaron që pushteti i Shtetit në Ukrainë ushtrohet mbi bazën e ndarjes së tij në degët legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.
57. Neni 76 i Kushtetutës parashikon që anëtarët e Parlamentit duhet të zgjidhen nga qytetarët e Ukrainës të cilët e kanë mbushur moshën njëzet e një vjeç, kanë të drejtë votimi dhe kanë të paktën pesë vjet që jetojnë në Ukrainë.
58. Neni 84 i Kushtetutës parashikon që anëtarët e Parlamentit duhet të votojnë personalisht në seancat e Parlamentit.
59. Neni 126 § 5 i Kushtetutës shprehet si vijon:
“Një gjyqtar shkarkohet nga detyra prej organit i cili e ka zgjedhur apo emëruar atë kur:
(1) skadon mandati për të cilin ai ose ajo është zgjedhur apo emëruar;
(2) gjyqtari mbush moshën gjashtëdhjetë e pesë vjeç;
(3) gjyqtari e ka të pamundur t’i kryejë detyrat e tij për arsye shëndetësore;
(4) gjyqtari shkel kriteret lidhur me papajtueshmërinë gjyqësore;
(5) gjyqtari shkel betimin e dhënë si gjyqtar;
(6) hyn në fuqi një dënim kundër gjyqtarit;
(7) gjyqtari nuk është më shtetas;
(8) deklarohet që gjyqtari është i humbur, ose deklarohet i vdekur;
(9) gjyqtari deklaron dorëheqjen vullnetare nga posti.”
60. Nenet 128 dhe 131 të Kushtetutës parashikojnë si vijon:
Neni 128
“Emërimi fillestar i një gjyqtari profesionist në detyrë për një mandat pesë-vjeçar bëhet nga Presidenti i Ukrainës. Të gjithë gjyqtarët e tjerë, përveç gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duhet të zgjidhen nga Parlamenti për një mandat të pakufizuar në përputhje me procedurën e vendosur me ligj. ...”
Neni 131
“Në Ukrainë vepron Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Detyrat e tij përfshijnë:
(1) bërjen e parashtresave lidhur me emërimin ose shkarkimin e gjyqtarëve;
(2) marrjen e vendimeve në lidhje me shkeljet nga gjyqtarët dhe prokurorët të kritereve të papajtueshmërisë gjyqësore;
(3) zhvillimin e procedurave disiplinore në lidhje me gjyqtarët e Gjykatës Supreme dhe gjyqtarët e gjykatave të specializuara më të larta, dhe shqyrtimin e ankesave kundër vendimeve për caktimin e përgjegjësisë disiplinore së gjyqtarëve të gjykatave të apelit dhe gjykatave vendase dhe të prokurorëve.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë përbëhet nga njëzet anëtarë. Parlamenti i Ukrainës, Presidenti i Ukrainës, Asambleja e Gjyqtarëve të Ukrainës, Asambleja e Avokatëve të Ukrainës dhe Asambleja e Përfaqësuesve të Organeve të Larta Arsimore Ligjore dhe Institucioneve Shkencore, emërojnë tre anëtarë për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, dhe Konferenca Mbarë-Ukrainase e Prokurorëve emëron dy anëtarë për Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Ministri i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm janë anëtarë ex officio të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.”
B. Kodi Penal i 5 prillit 2001
61. Neni 375 i Kodit parashikon:
“1. Miratimin nga një gjyqtar (ose gjyqtarë) të një dënimi, vendimi, vendimi apo rezolute të gabuar me vetëdije –
dënohet me kufizim të lirisë deri në pesë vjet ose me burgim prej dy deri në pesë vjet.
2. Të njëjtat akte, nëse rezultojnë me pasoja serioze ose janë kryer për përfitime financiare ose për interesa të tjera personale –
dënohen me burgim prej pesë deri në tetë vjet.”
C. Kodi i Drejtësisë Administrative i 6 korrikut 2005
62. Dispozitat përkatëse të Kodit parashikojnë si vijon:
Neni 161. Konstatimet që duhen përcaktuar nga një gjykatë gjatë vendosjes së një çështjeje
“1. Gjatë vendosjes së një çështjeje, një gjykatë përcakton:
(1) nëse rrethanat e përmendura në pretendime dhe kundërshtime kanë ndodhur dhe cilat prova i mbështesin këto rrethana;
(2) nëse ka informacione të tjera faktike relevante për çështjen dhe prova që i mbështesin ato informacione;
(3) cila dispozitë e ligjit duhet të zbatohet në marrëdhëniet ligjore për të cilat bëhet fjalë; ...”
Neni 171-1. Procedurat në çështjet lidhur me akte, veprime apo mosveprime
të Parlamentit të Ukrainës, Presidentit të Ukrainës, Këshillit të Lartë të Drejtësisë
dhe Komisionit të Kualifikimit të Lartë të Gjyqtarëve
[dispozita në fuqi nga 15 maji 2010]
“1. Rregullat e vendosura në këtë nen zbatohen në procedurat në çështjet administrative lidhur me:
(1) ligjshmërinë (por jo kushtetutshmërinë) e rezolutave të Parlamentit, dhe dekretet dhe urdhrat e Presidentit të Ukrainës;
(2) veprimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë; ...
2. Aktet, veprimet ose mosveprimet e Parlamentit të Ukrainës, Presidentit të Ukrainës, Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Komisioni të Kualifikimit të Lartë të Gjyqtarëve mund të kontestohen para Gjykatës më të Lartë Administrative. Për këtë qëllim ngrihet një dhomë e veçantë në Gjykatën më të Lartë Administrative.
...
4. Çështjet administrative lidhur me akte, veprime ose mosveprime të Parlamentit të Ukrainës, Presidentit të Ukrainës, Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Komisionit të Kualifikimit të Lartë të Gjyqtarëve shqyrtohen nga një trupë e përbërë nga të paktën pesë gjyqtarë ...
5. Pas shqyrtimit të çështjes, Gjykata më e Lartë Administrative mund të:
(1) deklarojë aktin e Parlamentit të Ukrainës, Presidentit të Ukrainës, Këshillit të Lartë të Drejtësisë ose të Komisionit të Kualifikimeve të Larta të Gjyqtarëve të paligjshëm tërësisht ose pjesërisht;
(2) deklarojë veprimet ose mosveprimet e Parlamentit të Ukrainës, Presidentit të Ukrainës, Këshillit të Lartë të Drejtësisë ose të Komisionit të Kualifikimeve të Larta të Gjyqtarëve të paligjshme dhe [ta ose t’i] detyrojë [atë ose ata] të marrin masa të caktuara. ...”
D. Ligji mbi sistemin gjyqësor i 7 shkurtit 2002 me amendamentet e tjera (“Ligji për Sistemin Gjyqësor i vitit 2002”) (në fuqi deri më 30 korrik 2010)
63. Dispozitat përkatëse të Ligjit parashikojnë si vijon:
Neni 20. Procedura për ngritjen e gjykatave
“...5. Kryetari dhe zëvendës kryetari i një gjykate duhet të jenë gjyqtarë të emëruar në postin përkatës për një mandat pesë-vjeçar, të cilët mund të shkarkohen nga ai post nga Presidenti i Ukrainës me kërkesë të Kryetarit të Gjykatës Supreme (dhe, në rastin e gjykatave të specializuara, me kërkesë të kryetarit të gjykatës së specializuar më të lartë përkatëse), mbi bazën e një rekomandimi nga Këshilli i Gjyqtarëve të Ukrainës (dhe, në rastin e gjykatave të specializuara, me rekomandim të këshillit përkatës të gjyqtarëve). ...”
Me anë të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të datës 16 maj 2007, dispozita e nenit 20 § 5 të Ligjit për emërimin e kryetarëve dhe zëvendës kryetarëve të gjykatave nga Presidenti i Ukrainës u shpall antikushtetuese.
Neni 41. Kryetari i një gjykate të specializuar më të lartë
“1. Kryetari i një gjykate të specializuar më të lartë:
...
(3) ... ngre dhomat e gjykatës; bën propozime për përbërjen individuale të dhomave, që duhet të miratohet nga presidiumi i gjykatës; ...
5. Në mungesë të kryetarit të një gjykate të specializuar më të lartë, detyrat e tij kryhen nga zëvendës kryetari i parë, ose, në mungesë të këtij të fundit, nga një prej zëvendës kryetarëve të gjykatës, sipas shpërndarjes së pushteteve administrative.”
Neni 116. Këshilli i Gjyqtarëve të Ukrainës
“1. Këshilli i Gjyqtarëve të Ukrainës vepron si organ më i lartë i vetqeverisjes gjyqësore në periudhën mes sesioneve të Asamblesë së Gjyqtarëve të Ukrainës.
...
5. Këshilli i Gjyqtarëve të Ukrainës:
... (4) vendos në lidhje me emërimin e gjyqtarëve në poste administrative dhe shkarkimin e tyre nga këto poste në çështje dhe në përputhje me procedurat e parashikuara nga ky Akt;
...
6. Vendimet e Këshillit të Gjyqtarëve të Ukrainës janë detyruese për të gjitha organet e vetqeverisjes gjyqësore. Një vendim i Këshillit të Gjyqtarëve të Ukrainës mund të anulohet nga Asambleja e Gjyqtarëve të Ukrainës.”
E. Ligji mbi statusin e gjyqtarëve i datës 15 dhjetor 1992 me amendamentet e tjera (“Ligji për Statusin e Gjyqtarëve i vitit 1992”) (në fuqi deri më 30 korrik 2010)
64. Dispozitat përkatëse të Ligjit parashikojnë si vijon:
Neni 5. Kriteret e pajtueshmërisë
“Një gjyqtar nuk mund të jetë anëtar i një partie politike apo sindikate, të marrë pjesë në aktivitete politike, të ketë mandat përfaqësimi, të ketë ndonjë profesion tjetër fitimprurës, apo të zhvillojë punë të tjera me pagesë me përjashtim të profesioneve shkencore, arsimore apo artistike.”
Neni 6. Detyrat e gjyqtarëve
“Gjyqtarët janë të detyruar:
- t’u përmbahen Kushtetutës dhe ligjeve të Ukrainës në administrimin e drejtësisë, dhe të garantojnë shqyrtimin e plotë, gjithëpërfshirës dhe objektiv të çështjeve brenda afateve kohore të caktuara;
- të veprojnë në përputhje me kërkesat e nenit 5 të këtij Ligji dhe rregulloret e brendshme;
- të mos zbulojnë informacione të cilat janë kategorizuar si sekrete shtetërore, ushtarake, tregtare apo bankare ...
- të përmbahen nga çdo akt ose veprim i cili çnderon detyrën zyrtare dhe i cili mund të hedhë dyshime mbi objektivitetin, paanshmërinë dhe pavarësinë e tyre.”
Neni 10. Betimi gjyqësor
“Pas emërimit, një gjyqtari bën betimin solemn të mëposhtëm:
‘Deklaroj solemnisht që do t’i kryej detyrat e gjyqtarit me ndershmëri dhe seriozitet, t’i përmbahem vetëm ligjit në administrimin e drejtësisë, dhe të jem objektiv dhe i drejtë.’
Betimi bëhet para Presidentit të Ukrainës.”
Neni 31. Bazat për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve
“1. Një gjyqtar i nënshtrohet dënimit disiplinor për një vepër disiplinore, që do të thotë për shkelje të:
- legjislacionit gjatë shqyrtimit të një çështjeje;
- kërkesave të nenit 5 të këtij Ligji;
- detyrave të përcaktuara në nenin 6 të këtij Ligji.
2. Tërheqja ose ndryshimi i një vendimi gjyqësor nuk përmban përgjegjësi disiplinore për një gjyqtar i cili ka qenë pjesëmarrës në miratimin e atij vendimi, nëse nuk është bërë me qëllim të shkeljes së ligjit apo kërkesave të rigorozitetit dhe nëse nuk ka pasur pasoja serioze për shkak të atij vendimi.”
Neni 32. Llojet e dënimeve disiplinore
“1. Gjyqtarëve mund t’u jepen dënimet e mëposhtme disiplinore:
- qortim;
- zbritje në nivelin e kualifikimit profesional.
2. Për secilën prej shkeljeve të përmendura nga nenin 31 të këtij Ligji, shqiptohet vetëm një dënim disiplinor. ...”
Neni 36. Afatet kohore për caktimin e një dënimi disiplinor dhe heqjen e një të dhëne disiplinore
“1. Një gjyqtari i caktohet dënimi disiplinor brenda gjashtë muajsh nga data kur vepra është bërë e ditur, duke përjashtuar periudhat e paaftësisë apo lejes së përkohshme.
2. Nëse, brenda një viti nga data e zbatimit të masës disiplinore, gjyqtari nuk merr një dënim të ri disiplinor, ai gjyqtar do të trajtohet si i tillë që nuk ka asnjë të dhënë disiplinore. ...”
F. Ligji mbi Këshillin e Lartë të Drejtësisë i 15 janarit 1998 (“Ligji për HCJ i vitit 1998”), siç u emërtua në kohën relevante
65. Neni 6 i Ligjit, para amendamenteve të 7 korrikut 2010, parashikonte si më poshtë:
“Një shtetas i Ukrainës mes moshës tridhjetë e pesë dhe gjashtëdhjetë vjeç mund të rekomandohet për postin e anëtarit të [HCJ] nëse e njeh mirë gjuhën kombëtare, ka shkollim të lartë ligjor dhe të paktën dhjetë vjet përvojë pune në fushën e ligjit dhe ka jetuar në Ukrainë dhjetë vitet e fundit.
Kërkesat e nën-nenit 1 të këtij neni nuk u zbatohen individëve të cilët janë anëtarë ex officio të [HCJ].
Përpjekjet për të ndikuar tek një anëtar i [HCJ] janë të ndaluara.”
66. Me amendamentet e 7 korrikut 2010, neni 6 i Ligjit u plotësua me paragrafin e mëposhtëm:
“Nëse ky Akt kërkon që një anëtar i [HCJ] të jetë gjyqtar, ai anëtar do të emërohet nga radhët e gjyqtarëve që janë zgjedhur për një mandat të pakufizuar.”
67. Nenet 8-13 kanë të bëjnë me procedurat për emërimin e anëtarëve të HCJ nga organet e përcaktuara nga neni 131 i Kushtetutës.
68. Me amendamentet e 7 korrikut 2010, këto nene u plotësuan me kërkesa shtesë sipas të cilave dhjetë anëtarë të HCJ duhet të emëroheshin mes radhëve të korpusit gjyqësor nga organet e caktuara nga neni 131 i Kushtetutës.
69. Seksioni 17 i Ligjit parashikon që, para marrjes së detyrës, një anëtar i HCJ duhet të bëjë betimin gjatë një seance të Parlamentit.
70. Neni 19 i Ligjit parashikon që HCJ përbëhet nga dy seksione. Puna e HCJ koordinohet nga kryetari i saj ose, në mungesë të tij/saj, nga zëvendës kryetari. Kryetari, zëvendës kryetari dhe kryetarët e seksioneve të HCJ punojnë me orar të plotë.
71. Dispozitat e tjera relevante të Ligjit parashikojnë si më poshtë:
Neni 24. Seancat para Këshillit të Lartë të Drejtësisë
“...Seanca para Këshillit të Lartë të Drejtësisë është publike. Seanca private mbahet me vendim të shumicës së përbërjes kushtetuese të Këshillit të Lartë të Drejtësisë ...”
Neni 26. Tërheqja e një anëtari të Këshillit të Lartë të Drejtësisë
“Një anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk mund të marrë pjesë në shqyrtimin e një çështjeje dhe tërhiqet nëse konstatohet që ai ose ajo ka interesa personale të drejtpërdrejta ose të tërthorta në rezultatin e çështjes ... Në këto kushte anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë tërhiqet me iniciativën e vet. Në të njëjtat rrethana një person ... çështja e të cilit është në shqyrtim e sipër ... ka të drejtë të kërkojë tërheqjen e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. ...”
Neni 27. Aktet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë
“... Aktet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë mund të kontestohen ekskluzivisht para Gjykatës më të Lartë Administrative në përputhje me procedurën e parashikuar në Kodin e Drejtësisë Administrative.”
72. Kreu dy i Ligjit, “Shqyrtimi i çështjeve lidhur me shkarkimin e gjyqtarëve”, parashikon, sipas relevancës, si vijon:
Neni 32. Parashtresa për shkarkimin e një gjyqtari në rrethana të veçanta
[teksti i nenit para 15 majit 2010]
“Këshilli i Lartë i Drejtësisë merr në shqyrtim çështjen e shkarkimit të një gjyqtari mbi bazat e parashikuara nga neni 126 § 5 (4) – (6) i Kushtetutës pas pranimit të një opinioni relevant nga komisioni i kualifikimit ose me mocion të vetin. Gjyqtarit në fjalë i dërgohet një ftesë me shkrim për të marrë pjesë në seancën dëgjimore para Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Vendimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të bërë kërkesë për shkarkimin e një gjyqtari mbi bazën e nenit 126 § 5 (4) dhe (5) të Kushtetutës merret me shumicën e dy të tretave të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të cilët marrin pjesë në seancë, dhe, në rastet e parashikuara nga neni 126 § 5 (6) i Kushtetutës, me shumicën e përbërjes kushtetuese të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.”
Neni 32. Parashtresa për shkarkimin e një gjyqtari në rrethana të veçanta
[teksti i nenit nga 15 maji 2010]
“Këshilli i Lartë i Drejtësisë merr në shqyrtim çështjen e shkarkimit të një gjyqtari mbi bazat e parashikuara nga neni 126 § 5 (4) – (6) i Kushtetutës (shkelje e kritereve të papajtueshmërisë gjyqësore, shkelje e betimit, hyrja në fuqi e një dënimi kundër një gjyqtari) pas pranimit të opinionit relevant nga komisioni i kualifikimit ose me mocion të vetin.
Shkelja e betimit nga një gjyqtar përfshin:
(i) kryerjen e veprimeve të cilat çnderojnë postin gjyqësor dhe të cilat mund të hedhin dyshime mbi objektivitetin, paanshmërinë dhe pavarësinë e gjyqtarit apo gjyqtares, si dhe mbi drejtësinë dhe pakorruptueshmërinë e gjyqësorit;
(ii) blerjen e paligjshme të pasurisë ose shpenzime nga gjyqtari të cilat i tejkalojnë të ardhurat e tij/saj dhe të ardhurat e familjes së tij/saj;
(iii) vonimin e qëllimshëm të shqyrtimit të një çështjeje duke i tejkaluar afatet kohore të caktuara; [ose]
(iv) shkeljen e parimeve morale dhe etike të kodit të sjelljes në gjyqësor.
Gjyqtarit në fjalë i dërgohet një ftesë me shkrim për t’u paraqitur në seancë dëgjimore para Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Nëse gjyqtari nuk mund të marrë pjesë në seancë për një arsye të vlefshme, ai ose ajo ka të drejtë të bëjë parashtresa me shkrim, të cilat përfshihen në dosjen e çështjes. Parashtresat me shkrim nga gjyqtari lexohen me zë në seancën para Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Mospjesëmarrja e gjyqtarit për herë të dytë në seancë përbën bazë për shqyrtimin e çështjes pa praninë e tij/saj.
Një vendim i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të kërkuar shkarkimin e një gjyqtari në pajtim me nenin 126 § 5 (4) – (6) të Kushtetutës duhet të merret nga një shumicë në përbërjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.”
73. Kreu katër i Ligjit, “Procedurat disiplinore kundër gjyqtarëve të Gjykatës Supreme dhe gjykatave më të larta të specializuara”, parashikon për aq sa është relevant, si vijon:
Neni 37. Llojet e dënimeve të caktuara nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë
[teksti i nenit deri më 30 korrik 2010]
“Këshilli i Lartë i Drejtësisë përcakton përgjegjësinë disiplinore ... të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme ... mbi bazat e parashikuara nga neni 126 § 5 (5) i Kushtetutës dhe Ligjit për Statusin e Gjyqtarëve.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë mund të caktojë dënimet disiplinore të mëposhtme:
(1) qortim;
(2) zbritje në nivelin kualifikimit profesional.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë mund të vendosë që një gjyqtar nuk është në pajtueshmëri me postin që mban dhe drejton një kërkesë për shkarkimin e gjyqtarit pranë organit që e ka emëruar atë.”
Neni 39. Fazat e procedurave disiplinore
“Procedurat disiplinore përbëhen nga fazat e mëposhtme:
(1) verifikimi i informacionit lidhur me një vepër disiplinore;
(2) fillimi i procedurave disiplinore;
(3) shqyrtimi i çështjes disiplinore;
(4) marrja e vendimit. ...”
Neni 40. Verifikimi i informacionit lidhur me një vepër disiplinore
“Verifikimi i informacionit lidhur me një vepër disiplinore zhvillohet nga ... një prej anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë përmes marrjes së shpjegimeve me shkrim nga gjyqtarët dhe persona të tjera, përmes kërkimit dhe shqyrtimit të materialeve nga dosje të ndryshme, dhe marrjes së informacioneve të tjera nga organet shtetërore, organizatat, institucionet, shoqatat dhe qytetarët.
Pas verifikimit të informacionit, përgatitet një deklaratë e fakteve me përfundime dhe propozime. Deklarata së bashku me materialet e tjera i komunikohet gjyqtarit në fjalë. ...”
Neni 41. Fillimi i procedurave disiplinore
“Nëse ka baza për të zhvilluar procedura disiplinore kundër ... një gjyqtari të Gjykatës Supreme ... ato fillohen me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë brenda dhjetë ditësh nga data e pranimit të informacionit lidhur me veprën disiplinore ose, nëse është e nevojshme të verifikohet ky informacion, brenda dhjetë ditësh nga data e përfundimit të verifikimit.”
Neni 42. Shqyrtimi i një çështjeje disiplinore
[teksti i nenit deri më 30 korrik 2010]
“Këshilli i Lartë i Drejtësisë merr në shqyrtim një çështje disiplinore në seancën e tij të ardhshme pas marrjes së një përfundimi dhe materialeve të tjera që dalin nga verifikimi.
Vendimi në një çështje disiplinore merret me votë të fshehtë pa praninë e gjyqtarit në fjalë ...
Këshilli i Lartë i Drejtësisë dëgjon prova nga gjyqtari gjatë konstatimit të përgjegjësisë së tij disiplinore. Nëse gjyqtari nuk mund të marrë pjesë në seancë për arsye të vlefshme, ai ose ajo ka të drejtë të bëjë parashtresa me shkrim, të cilat përfshihen në dosjen e lëndës. Parashtresat e gjyqtarit lexohen me zë para Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Mos-pjesëmarrja e gjyqtarit në seancë për herë të dytë përbën bazë për shqyrtimin e çështjes në mungesë të tij.”
Neni 43. Afatet kohore për caktimin e dënimit disiplinor
“Gjyqtarit i caktohet dënimi disiplinor brenda gjashtë muajsh nga data kur është bërë e ditur vepra, duke përjashtuar ndonjë periudhë të paaftësisë apo lejes së përkohshme, por sidoqoftë jo më vonë se një vit pas datës së veprës.”
Neni 44. Fshirja e të dhënave për shkelje disiplinore
“Nëse, brenda një viti nga data e zbatimit të dënimit disiplinor, gjyqtari nuk merr dënim të mëtejshëm disiplinor, ai gjyqtar trajtohet si të mos ketë të dhëna për shkelje disiplinore. ...”
G. Ligji mbi procedurën e zgjedhjes dhe shkarkimit të gjyqtarëve nga Parlamenti i datës 18 mars 2004 (“Ligji për (Zgjedhjen dhe Shkarkimin e Gjyqtarëve i vitit 2004”) (në fuqi deri më 30 korrik 2010)
74. Dispozitat relevante të Ligjit parashikonin si vijon:
Neni 19. Procedurat para komisionit parlamentar lidhur me shqyrtimin e parashtresës për shkarkimin e një gjyqtari të zgjedhur për një mandat të pakufizuar
“Parashtresa e [Këshillit të Lartë të Drejtësisë] për shkarkimin e një gjyqtari të zgjedhur për një mandat të pakufizuar merret në shqyrtim nga komisioni parlamentar brenda një muaji nga data e pranimit të parashtresës. ...
Komisioni parlamentar zhvillon hetimet në lidhje me kërkesat e bëra nga qytetarët dhe njoftimet e tjera lidhur me aktivitetet e gjyqtarit.
Komisioni parlamentar mund të kërkojë që të zhvillohen hetime të mëtejshme nga Gjykata Supreme, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, gjykata përkatëse më e lartë e specializuar, administrata gjyqësore shtetërore, Këshilli i Gjyqtarëve të Ukrainës ose komisioni përkatës për kualifikimin e gjyqtarëve.
Rezultatet e hetimeve shtesë i paraqiten komisionit parlamentar nga autoritetet përkatëse me shkrim brenda afateve kohore të caktuara nga komisioni parlamentar por sidoqoftë jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas kërkesës për hetime.
Gjyqtari në fjalë njoftohet lidhur me kohën dhe vendin e seancës para komisionit parlamentar.”
Neni 20. Procedura para komisionit parlamentar lidhur me caktimin e çështjes së shkarkimit të një gjyqtari të zgjedhur për një mandat të pakufizuar
“Seanca para komisionit parlamentar mbi shkarkimin e një gjyqtari të zgjedhur për një mandat të pakufizuar mund të ndiqet nga anëtarët e Parlamentit dhe nga përfaqësuesit e Gjykatës Supreme, gjykatave më të larta të specializuara, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, administrata gjyqësore shtetërore, autoritete të tjera shtetërore, organet e vetqeverisjes lokale dhe institucionet publike.
Gjyqtari në fjalë është i pranishëm në seancë, me përjashtim të rasteve të shkarkimit në përputhje me nenin 126 § 5 (2), (3), (6), (7), (8) dhe (9) të Kushtetutës.
Nëse gjyqtari nuk merr pjesë për herë të dytë në seancë pa arsye të vlefshme, atëherë kjo përbën bazë për shqyrtimin e çështjes në mungesë të tij/saj pasi komisioni parlamentar të ketë siguruar që gjyqtari e ka marrë njoftimin lidhur me kohën dhe vendin e mbajtjes së seancës. Komisioni parlamentar vlerëson vlefshmërinë e çdo arsyeje për mosparaqitje në seancë. ...
Seanca para komisionit parlamentar për shkarkimin e një gjyqtari fillon me një raport nga kryetari.
Anëtarët e komisionit parlamentar dhe anëtarë të tjerë të Parlamentit mund t’i bëjnë pyetje gjyqtarit në lidhje me materialet e dala nga [çdo] hetim dhe faktet e shënuara në [çdo] kërkesë të bërë nga qytetarët.
Gjyqtari ka të drejtë të studiojë materialin, deklaratat e fakteve dhe përfundimet e komisionit parlamentar në lidhje me shkarkimin e tij apo të saj.”
Neni 21. Paraqitja e një propozimi për shkarkimin e një gjyqtari ... para mbledhjes plenare të Parlamentit
“Komisioni parlamentar paraqet në mbledhje plenare të Parlamentit një propozim ku rekomandohet shkarkimi i një gjyqtari të zgjedhur për një mandat të pakufizuar. Fjala i jepet përfaqësuesit të komisionit parlamentar.”
Neni 22. Ftesa për të marrë pjesë në mbledhjen plenare mbi shkarkimin e një gjyqtari të zgjedhur për një mandat të pakufizuar
“... Gjyqtari në fjalë duhet të jetë i pranishëm në mbledhjen plenare të Parlamentit me rastin e shkarkimit të tij ose të saj sipas nenit 126 § 5 (1), (4) dhe (5) të Kushtetutës. Mosparaqitja e gjyqtarit nuk e pengon marrjen në shqyrtim të themeleve të çështjes.”
Neni 23. Procedura në mbledhjen plenare të Parlamentit lidhur me konstatimin e çështjes së shkarkimit të gjyqtarit të zgjedhur për një mandat të pakufizuar
“Gjatë mbledhjes plenare të Parlamentit, përfaqësuesi i komisionit parlamentar raporton në lidhje me secilin kandidat për shkarkim.
Nëse një gjyqtar nuk është dakord me shkarkimin, prej tij dëgjohen shpjegime.
Anëtarët e Parlamentit kanë të drejtë t’i bëjnë pyetje gjyqtarit.
Nëse gjatë konsultimeve në mbledhjen plenare të Parlamentit lind nevoja për zhvillimin e hetimeve shtesë në lidhje me kërkesat e bëra nga qytetarët ose për kërkimin e informacioneve shtesë, Parlamenti i jep udhëzimet përkatëse komisionit parlamentar.”
Neni 24. Vendimi i Parlamentit lidhur me shkarkimin e një gjyqtari të zgjedhur për një mandat të pakufizuar
“Parlamenti merr vendim lidhur me shkarkimin e një gjyqtari mbi bazat e përcaktuara në nenin 126 § 5 të Kushtetutës.
Vendimi merret me votim të hapur nga shumica e përbërjes kushtetuese të Parlamentit.
Vendimi për shkarkimin e një gjyqtari miratohet në formën e një rezolute.”
H. Ligji për komisionet parlamentare i datës 4 prill 1995 (“Ligji për Komisionet Parlamentare i vitit 1995”)
75. Neni 1 i Ligjit parashikon që një komision parlamentar është një organ i Parlamentit i përbërë nga anëtarë të Parlamentit me detyrën e hartimit të ligjeve në fusha të caktuara, që zhvillon shqyrtimin paraprak të çështjeve të cilat hyjnë në kompetencën e Parlamentit, dhe kryen funksione mbikëqyrëse.
I. Ligji për statusin e Anëtarëve të Parlamentit i datës 17 nëntor 1992 (“Ligji për Statusin e Anëtarëve të Parlamentit i vitit 1992”)
76. Neni 24 i Ligjit parashikon që një anëtar i Parlamentit duhet të jetë i pranishëm dhe personalisht të marrë pjesë në seancat e Parlamentit. Ai ose ajo është i/e detyruar të votojë personalisht mbi çështje që merren në shqyrtim nga Parlamenti dhe organet e tij.
J. Ligji për rregulloren e Parlamentit i datës 10 shkurt 2010 (“Rregullorja e Parlamentit”)
77. Neni 47 i Rregullores së Parlamentit parashikon që kur Parlamenti merr vendime, anëtarët e tij votojnë personalisht në dhomën e konsultimeve duke përdorur një sistem votimi elektronik ose, në rastin e votimit të fshehtë, në një sallë votimi afër dhomës së konsultimeve.
III. MATERIALI I KËSHILLIT TË EVROPËS
A. Karta Evropiane mbi statutin për gjyqtarët e datës 8-10 korrik 1998 (Departamenti i Çështjeve Ligjore i Këshillit të Evropës, Dokumenti 98(23)
78. Pjesët përkatëse të shkëputura nga Kreu 5 i Kartës, “Përgjegjësia”, parashikojnë si vijon:
“5.1. Moskryerja nga gjyqtari e njërës nga detyrat e përcaktuara shprehimisht në Statut mund t’i japë shkas një sanksioni vetëm në bazë të vendimit të marrë, pas një propozimi, rekomandimi ose me miratimin e një gjykate apo autoriteti ku të paktën gjysma e anëtarëve duhet të jenë gjyqtarë të zgjedhur, brenda kornizës së procedurave të një natyre të tillë që përfshin dëgjimin e plotë të palëve, ku gjyqtari kundër të cilit zhvillohet procedura ka të drejtë përfaqësimi. Shkalla e sanksioneve që mund të vendoset është e përcaktuar në Statut, dhe caktimi i tyre merr parasysh parimin e përpjestueshmërisë. Kundër vendimit të autoritetit ekzekutiv, tribunalit ose autoritetit që shqipton sanksionin, siç parashikohet këtu, mund të bëhet ankesë pranë një autoriteti më të lartë gjyqësor.”
B. Opinioni i Komisionit të Venedikut
79. Në pjesët e shkëputura relevante nga Opinioni i Përbashkët i Komisionit të Venedikut dhe Drejtorisë për Bashkëpunim me Drejtoratin e Përgjithshëm të të Drejtave të Njeriut dhe Çështjeve Ligjore të Këshillit të Evropës mbi Ligjin për Ndryshimet në Disa Akte Legjislative të Ukrainës në Lidhje me Parandalimin e Abuzimit të së Drejtës për Apel, i miratuar nga Komisioni i Venedikut në Seancën e 84-t të tij Plenare (Venedik, 15-16 tetor 2010, CDL-AD(2010)029), thuhet si vijon (theksi i shtuar në tekstin origjinal):
“28. Me sa duket në një përpjekje të mirëpritur për zgjidhjen e problemit të numrit të ulët të gjyqtarëve në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Dispozitat Përfundimtare sipas Seksionit XII:3 (Amendamentet e Akteve ligjore të Ukrainës) të Ligjit mbi Gjyqësorin dhe Statusin e Gjyqtarëve, amendamentet 3.11 të Ligjit të Ukrainës ‘Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë’, tani parashikojnë që dy prej tre anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të cilët emërohen nga Verkhovna Rada (neni 8.1) dhe Presidenti i Ukrainës (neni 9.1) respektivisht, një prej tre anëtarëve të emëruar nga Kongresi i Gjyqtarëve (neni 11.1), dhe një prej tre anëtarëve të emëruar nga Kongresi i Përfaqësuesve të Institucioneve më të Larta Arsimore Ligjore dhe Institucioneve Kërkimore (neni 12.1) emërohen nga radhët e gjyqtarëve. Konferenca Mbarë-Ukrainase e Prokurorëve emëron dy anëtarë në HCJ, njëri prej të cilëve emërohet nga mesi i gjyqtarëve (neni 13.1.
29. Pavarësisht nga kjo, përbërja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Ukrainës ende nuk është në përputhje me standardet evropiane sepse nga 20 anëtarë vetëm tre janë gjyqtarë të zgjedhur nga kolegët e tyre. Dispozitat përfundimtare në fuqi parashikojnë që elementi gjyqësor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë duhet të jetë më i lartë, por zgjidhja e gjetur është që t’i kërkohet Parlamentit, Presidentit, institucioneve arsimore dhe prokurorëve që të zgjedhin ose të emërojnë gjyqtarët. ... Në përbërjen aktuale, një gjyqtar është anëtar ex officio (Kryetari i Gjykatës Supreme) dhe disa anëtarë të emëruar nga Presidenti dhe Parlamenti janë gjyqtarë de facto ose ish-gjyqtarë, por nuk ekziston një kriter ligjor për këtë derisa mandatet e anëtarëve ekzistues të përfundojnë. Së bashku me Ministrin e Drejtësisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm, 50% e anëtarëve i përkasin ose janë të emëruar nga ekzekutivi ose legjislativi. Prandaj Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk mund të thuhet se përbëhet nga një masë substanciale gjyqtarësh. Nganjëherë mund të ndodhë në demokraci më të vjetra që pushteti ekzekutiv ka ndikim vendimtar dhe në disa vende sisteme të tilla mund të funksionojnë në mënyrë të pranueshme në praktikë. Vetë autoritetet ukrainase gjatë takimeve në Kyiv i referoheshin Ukrainës si një demokraci në tranzicion e cila do të dëshironte të shfrytëzonte përvojën e vendeve të tjera. Siç është shprehur në opinione të mëparshme, ‘Demokracitë e reja, sidoqoftë, nuk kanë pasur ende mundësinë t’i zhvillojnë këto tradita, të cilat mund të parandalojnë abuzimin dhe prandaj, të paktën në këto vende, nevojiten dispozita të qarta kushtetuese dhe ligjore si mekanizma mbrojtëse për parandalimin e abuzimit politik në emërimin e gjyqtarëve’.
30. Përbërja aktuale e HCJ shumë lehtë mund të lejojë lëshime në bashkëveprimin e shumicave parlamentare dhe presion nga ekzekutivi, por kjo nuk mund ta tejkalojë mangësinë strukturore të përbërjes së tij. Ky organ nuk mund të jetë i lirë nga çdo nënshtrim ndaj konsideratave të partive politike. Nuk ka garanci të mjaftueshme për të siguruar që HCJ mbron vlerat dhe parimet themelore të drejtësisë. Përbërja është e caktuar në Kushtetutë dhe do të kërkohej një amendament kushtetues. Përfshirja e Prokurorit të Përgjithshëm si [një] anëtar ex officio ngre shqetësime të veçanta, meqenëse ajo mund të ketë efekte penguese tek gjyqtarët dhe mund të perceptohet si kërcënim politik. Prokurori i Përgjithshëm është palë në shumë çështje në të cilat gjyqtarët marrin vendime, dhe prania e tij në një organ që merret me emërimin, disiplinimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve paraqet rrezikun që gjyqtarët të mos veprojnë në mënyrë të paanshme në raste të tilla ose që Prokurori i Përgjithshëm të mos veprojë mënyrë të paanshme karshi gjyqtarëve me vendimet e të cilëve ai nuk është dakord. Rrjedhimisht, përbërja e HCJ të Ukrainës nuk përputhet me standardet evropiane. Meqenëse një përbërje e ndryshuar do të kërkonte një amendament në Kushtetutë dhe kjo mund të jetë e vështirë, Ligji duhet të përfshijë, me qëllim të baraspeshimit të përbërjes problematike të HCJ, një rregullim më të fortë të papajtueshmërive. Duke marrë parasysh pushtetin që ka HCJ, ai duhet të funksionojë si organ me kohë pune të plotë dhe anëtarët e zgjedhur, ndryshe nga anëtarët ex officio, nuk duhet të kenë mundësi të ushtrojnë asnjë aktivitet tjetër publik ose privat gjatë kohës që shërbejnë në HCJ. ...
42. ... Duke pasur parasysh që Ministri i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës janë anëtarë ex officio të HCJ (neni 131 i Kushtetutës), dhe që Kushtetuta Ukrainase nuk garanton që HCJ do të përbëhet nga një shumicë apo një numër substancial gjyqtarësh të zgjedhur nga kolegët e tyre, parashtrimi i propozimeve për shkarkim nga anëtarët e ekzekutivit mund të dëmtojë pavarësinë e gjyqtarëve ... . Sido që të jetë, anëtari i HCJ i cili parashtroi propozimin nuk duhet të lejohet të marrë pjesë në vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit në fjalë: kjo do të ndikonte në garantimin e paanshmërisë ...
45. ... Saktësia dhe parashikueshmëria e bazave për përgjegjësinë disiplinore është e dëshirueshme për sigurinë ligjore dhe sidomos për mbrojtjen e pavarësisë së gjyqtarëve; prandaj duhen bërë përpjekje për të shmangur bazat e mjegullta apo përkufizimet e gjera. Megjithatë, përkufizimi i ri përfshin koncepte shumë të përgjithshme, si për shembull ‘[kryerja] e akteve që çnderojnë një detyrë zyrtare apo mund të hedhin dyshime [mbi] paanshmërinë, objektivitetin dhe pavarësinë e tij/saj, ose mbi integritetin, pakorruptueshmërinë e gjyqësorit’ dhe ‘shkelja e parimeve morale dhe etike të sjelljes njerëzore’, mes të tjerash. Kjo duket posaçërisht e rrezikshme për shkak të terminologjisë së mjegullt të përdorur dhe mundësisë së përdorimit të saj si armë politike kundër gjyqtarëve. ... Kështu, bazat e përgjegjësisë ligjore janë ende të konceptuara në mënyrë tepër të gjerë dhe kërkohen rregullore më të precizuara për të garantuar pavarësinë gjyqësore.
46. Së fundi, neni 32, në paragrafin e tij të fundit, kërkon që vendimet lidhur me parashtrimin e kërkesës së HCJ për shkarkimin e një gjyqtari të merren nga një shumicë e thjeshtë në vend të shumicës së dy të tretave. Duke pasur parasysh përbërjen problematike të HCJ, ky është një hap për të ardhur keq i cili është kundër pavarësisë së gjyqtarëve ...
51. Së fundi, përbërja e ... të ashtuquajturës ‘dhomë e pestë’ me shumë ndikim të Gjykatës [më të Lartë] Administrative duhet të përcaktohet saktë nga ligji në mënyrë që të përputhet me kriterin e të drejtës themelore për qasje në gjykatë në paracaktuar me ligj. ...”
C. Raporti nga Thomas Hammarberg, Komisioner i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, pas vizitës së tij në Ukrainë (19-26 nëntor 2011), CommDH(2012)10, 23 shkurt 2012
80. Në pjesët e shkëputura relevante nga raporti thuhet si vijon:
“II. Çështjet lidhur me pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqtarëve
Pavarësia e gjyqësorit – çka njëkohësisht nënkupton pavarësinë e secilit gjyqtar individualisht – duhet të mbrohet me ligj dhe në praktikë. Komisioneri vërejti me shqetësim që, në perceptimin e publikut në Ukrainë, gjyqtarët nuk janë të mbrojtur nga presioni i jashtëm, përfshirë presionin e natyrës politike. Duhen marrë masa vendimtare në shumë fronte për heqjen e faktorëve të cilët i lënë gjyqtarët të pambrojtur dhe dobësojnë pavarësinë e tyre. Autoritetet duhet të shqyrtojnë në thellësi akuzat për ndikim politik të papërshtatshëm ose ndikime apo ndërhyrje të tjera në punën e institucioneve gjyqësore de të sigurojnë zgjidhje efektive.
Komisioneri i bën thirrje autoriteteve ukrainase të zbatojnë në tërësi rekomandimet e Komisionit të Venedikut lidhur me nevojën për orientimin e drejtë dhe qartësimin e procedurave dhe kritereve në lidhje me emërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve, si dhe zbatimin e masave disiplinore. Është thelbësore që të vendosen mekanizmat e duhura mbrojtëse për të siguruar drejtësinë dhe për të eliminuar rrezikun e politizimit të procedurave disiplinore. Për sa i përket procesit të emërimit gjyqësor, kualifikimet dhe meritat e kandidatëve individualë duhet të jenë vendimtare.
Përbërja aktuale e Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk përputhet me standardet ndërkombëtare dhe duhet ndryshuar; kjo kërkon amendamente kushtetuese. ...
20. Në nëntor 2011 Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Myhailo Havryliuk, i cili është anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, njoftoi që kishin filluar procedura disiplinore kundër anëtarëve të dhomës për çështje penale të Gjykatës Supreme për shkak se ata kishin shkelur betimin e tyre. Pranë Komisionerit u paraqitën pretendime sipas të cilave këto zhvillime përbënin presion nga dega ekzekutive mbi këtë institucion gjyqësor me qëllim të ndikimit tek rezultati i zgjedhjeve për Kryetarin e ardhshëm të Gjykatës Supreme. ...
35. Kushtetuta dhe Ligji për Gjyqësorin dhe Statusin e Gjyqtarëve parashikon shkarkimin e një gjyqtari nga organi që e ka zgjedhur ose emëruar atë, pas një mocioni nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Disa nga bashkëbiseduesit e Komisionerit theksuan që, duke pasur parasysh përbërjen aktuale të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (angl. HCJ), rreziku që një vendim i tillë të zbatohej për shkak të konsideratave politike apo të ngjashme ishte shumë i madh. Konsiderata të tilla mund të luajnë rol njëkohësisht edhe në kontekstin e një vendimi nga Parlamenti për të shkarkuar një gjyqtar të emëruar përjetë. Prandaj, duhet të shtohen mekanizma mbrojtëse shtesë si në ligj ashtu edhe në praktikë, me qëllim që të mbrohet pavarësia e gjyqtarëve.
36. Ka dispozita në Kushtetutë si dhe në Ligjin për Gjyqësorin dhe Statusin e Gjyqtarëve kundër presionit të papërshtatshëm; megjithatë, këto dispozita duhet të fuqizohen më tej si në ligj ashtu edhe në praktikë. ...
42. Komisioneri është posaçërisht i shqetësuar nga raportimet e ndikimit të fuqishëm të ushtruar nga autoritetet prokuroriale dhe ekzekutive mbi gjyqtarët përmes përfaqësimit të tyre në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në mënyrë të veçantë, Komisioneri mori informacion që kishte raste kur procedurat kundër gjyqtarëve ishin filluar nga anëtarët e HCJ që përfaqësonin Prokurorinë për shkelje të pretenduara të betimit mbi bazën e substancës së vendimit gjyqësor në çështje ku gjyqtarët thuhej se nuk kishin mbështetur qëndrimet e prokurorit (cf. gjithashtu paragrafin 20 lart). Në këtë kontekst, Komisioneri dëshiron të rikujtojë se gjyqtarët nuk duhet të kenë arsye për t’iu frikësuar shkarkimit apo procedurave disiplinore kundër tyre për shkak të vendimeve që marrin. ...
Përfundime dhe rekomandime
46. Komisioneri thekson që një sistem emërimi gjyqësor duhet të jetë tërësisht i mbrojtur nga ndikimet e papërshtatshme politike apo ndikime të tjera partizane. Vendimet e gjyqtarëve nuk duhet t’i nënshtrohen rishikimit përtej procedurës së zakonshme të apelit. Veprimet disiplinore kundër gjyqtarëve duhet të rregullohen nga rregulla dhe procedura të qarta, të menaxhohen brenda sistemit të gjykatës, dhe të mos lëkunden karshi ndikimeve të paduhura politike apo të ndonjë natyre tjetër.
47. Ndërkohë që Komisioneri nuk është në pozitë të komentojë lidhur me vërtetësinë e pretendimeve për presion ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të përshkruara më lart (cf. paragrafi 20), ai sidoqoftë gjen që situata paraqet baza për shqetësime serioze. Autoritetet ukrainase duhet të shqyrtojnë dhe të zgjidhin çdo akuzë për ndërhyrje në punën e institucioneve gjyqësore. Zyrtarët nga degë të tjera të qeverisë duhet të përmbahen nga veprime apo deklarata të cilat mund të shihen si mjet për të bërë presion mbi punën e institucioneve gjyqësore apo për të hedhur dyshime mbi aftësinë e tyre për të ushtruar detyrat e tyre në mënyrë efektive. Gjyqtarët nuk duhet të kenë arsye për t’iu frikësuar shkarkimit apo procedurave disiplinore kundër tyre për shkak të vendimeve që marrin. Përveç kësaj, mundësia e paraqitur në reformën aktuale duhet të merret si e tillë që afirmon më fuqishëm pavarësinë e gjyqësorit nga ekzekutivi. ...”
IV. KËRKIMET NË TË DREJTËN KRAHASUESE
81. Një kërkim në të drejtën krahasuese i titulluar “Pavarësia Gjyqësore në Tranzicion”[5] përfundoi në vitin 2012 nga Instituti Max Planck për të Drejtën Krahasuse Publike dhe të Drejtën Ndërkombëtare (Max-Planck-Institut für ausländisches öffentliches Recht und Völkerrecht), në Gjermani.
82. Raporti i kërkimeve shtjellon, mes shumë çështjeve të tjera, procedurat disiplinore kundër gjyqtarëve në juridiksione të ndryshme. Ai sugjeron që nuk ekziston një qasje e njësuar ndaj organizimit të sistemit të disiplinës gjyqësore në vendet evropiane. Megjithatë, vihet re që në shumë vende të Evropës bazat për përgjegjësinë ligjore të gjyqtarëve përkufizohen në terma disi të përgjithshme (si, për shembull, neglizhimi i rëndë ose i përsëritur i detyrave zyrtare që rezultojnë me përshtypjen që një gjyqtar është i paaftë të mbajë postin (Suedia)). Bën përjashtim Italia, ku ligji parashikon një listë gjithpërfshirëse prej tridhjeteshtatë shkeljeve të ndryshme disiplinore lidhur me sjelljen e gjyqtarëve në detyrë dhe jashtë saj. Sanksionet për një vepër disiplinore nga një gjyqtar mund të përfshijnë: paralajmërim, qortim, transferim, ulje në gradë, ulje në pozitë, pezullim i ngritjes në detyrë, gjobë, ulje e rrogës, pezullim i përkohshëm nga detyra, shkarkim me ose pa përfitime pensioni. Shkarkimi i një gjyqtari si sanksioni më i rreptë zakonisht urdhërohet vetëm nga gjykata; në disa sisteme ligjore ai mund të urdhërohet gjithashtu edhe nga një institucion tjetër i specializuar siç është Bordi Disiplinor i Këshillit të Lartë të Gjyqësisë, por, si rregull, më pas mund t’i nënshtrohet apelit në gjykatë. Me përjashtim të Zvicrës, Parlamenti nuk është i përfshirë në procedurë; sistemi në Zvicër, sidoqoftë, është thellësisht ndryshe për shkak të periudhës së kufizuar kohore për të cilën zgjidhen gjyqtarët.
E DREJTA
I. SHKELJET E PRETENDUARA TË NENIT 6 § 1 TË KONVENTËS
83. Kërkuesi paraqiti ankesat e mëposhtme duke u bazuar në nenin 6 § 1 të Konventës: (i) çështja e tij nuk ishte shqyrtuar nga një “tribunal i pavarur dhe i paanshëm”; (ii) procedurat para HCJ kishin qenë të padrejta për shkak se nuk ishin zhvilluar sipas procedurës së parashikuar nga kreu katër i Ligjit për HCJ të vitit 1998, ku ofroheshin një sërë garancish procedurale të rëndësishme, përfshirë afatet e kufizimit për dënimet disiplinore; (iii) Parlamenti e kishte miratuar vendimin për shkarkimin e tij në një mbledhje plenare duke abuzuar sistemin e votimit elektronik; (iv) çështja e tij nuk ishte dëgjuar nga një “tribunal i ngritur sipas ligjit”; (v) vendimet në çështjen e tij ishin marrë pa vlerësimin e duhur paraprak të provave dhe argumentet e rëndësishme të ngritura nga mbrojtja nuk ishin marrë parasysh si duhej; (vi) mungesa e kompetencës së mjaftueshme nga ana e HAC për të shqyrtuar aktet e miratuara nga HCJ kishin qenë në kundërshtim me “të drejtën e tij për gjykatë”; dhe (vii) parimi i barazisë së armëve nuk ishte respektuar.
84. Neni 6 § 1 i Konventës parashikon, për aq sa është relevante, si vijon:
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. ...”
A. Pranueshmëria
85. Palët nuk e kontestuan pranueshmërinë e ankesave të mësipërme.
86. Megjithëse Qeveria pranoi që Neni 6 § 1 i Konventës ishte i zbatueshëm në çështjen në fjalë, Gjykata e gjen me vend t’i adresohet kësaj çështjeje me hollësi.
1. Nëse neni 6 § 1 është i zbatueshëm sipas titullit të tij civil
87. Gjykata vëren që mosmarrëveshjet e punës mes shërbyesve civilë dhe Shtetit mund të bien jashtë hapësirës civile të nenit 6 nëse plotësohen dy kushte kumulative. Së pari, Shteti në të drejtën e tij kombëtare duhet që ta ketë përjashtuar shprehimisht qasjen në gjykatë për postin apo kategorinë e stafit në fjalë. Së dyti, përjashtimi duhet të jetë i arsyetuar mbi baza objektive në interes të Shtetit (shih Vilho Eskelinen dhe të Tjerë kundër Finlandës [GC], nr. 63235/00, § 62, ECHR 2007‑IV).
88. Në kontekstin e kushtit të parë, Gjykata nuk pengohet nga kualifikimi i një organi të posaçëm vendas, jashtë gjyqësorit vendas, si “gjykatë” për qëllim të testit të Vilho Eskelinen. Një organ administrativ ose parlamentar mund të shihet si “gjykatë” në kuptimin substantiv të fjalës, duke e bërë kështu nenin 6 të zbatueshëm në çështjet e mosmarrëveshjeve të shërbyesve civilë (shih Argyrou dhe të Tjerë kundër Greqisë, nr. 10468/04, § 24, 15 janar 2009, dhe Savino dhe të Tjerë kundër Italisë, nr. 17214/05, nr. 20329/05 dhe nr. 42113/04, §§ 72‑75, 28 prill 2009). Përfundimi për sa i përket zbatueshmërisë së nenit 6, sidoqoftë, nuk paragjykon mënyrën se si janë respektuar garancitë procedurale në procedura të tilla (ibid. § 72).
89. Për sa i përket kërkesës në fjalë, çështja e kërkuesit u shqyrtua nga HCJ, i cili i vendosi të gjitha çështjet e fakteve dhe ligjit pas zhvillimit të një seancë dhe vlerësimit të provave. Shqyrtimi i çështjes nga HCJ përfundoi me dy parashtresa për shkarkimin e kërkuesit të cilat iu dërguan Parlamentit. Pas pranimit nga Parlamenti, parashtresat u morën në shqyrtim nga komisioni parlamentar për gjyqësorin të cilit, gjatë kohës në fjalë, iu dha njëfarë hapësire veprimi për të vlerësuar përfundimet e HCJ, meqenëse ishte i autorizuar të mbante konsultimet e veta dhe të zhvillonte hetime të mëtejshme, nëse e vlerësonte të nevojshme, çka mund të përfundonte me një rekomandim për shkarkimin ose mos shkarkimin e gjyqtarit (shih seksionet 19-21 të Ligjit për Gjyqtarët (Zgjedhja dhe Shkarkimi) i vitit 2004). Në një mbledhje plenare Parlamenti miratoi vendimin për shkarkimin e kërkuesit duke u bazuar mbi parashtresat e HCJ dhe rekomandimin e komisionit parlamentar (shih seksionin 23 të të njëjtit Akt). Së fundi, vendimet e HCJ dhe Parlamentit u shqyrtuar nga HAC.
90. Pra, duket që në vendosjen e çështjes së kërkuesit dhe marrjen e një vendimi detyrues, HCJ, komisioni parlamentar dhe mbledhja plenare e Parlamentit, të kombinuara, kanë kryer një funksion gjyqësor (shih Savino dhe të Tjerë, cituar lart, § 74). Vendimi detyrues lidhur me shkarkimin e kërkuesit më tej u mor në shqyrtim nga HAC, që ishte një gjykatë e zakonshme brenda gjyqësorit vendas.
91. Duke pasur parasysh atë që u thanë më lart, nuk mund të arrihet në përfundimin që e drejta kombëtare “shprehimisht e përjashtonte qasjen në gjykatë” për pretendimin e kërkuesit. Kushti i parë i testit Vilho Eskelinen pra nuk plotësohet dhe neni 6 zbatohet sipas titullit të tij civil (krahaso Olujić kundër Kroacisë, nr. 22330/05, §§ 31‑45, 5 shkurt 2009).
2. Nëse neni 6 § 1 zbatohet sipas titullit të tij penal
92. Dy aspektet, civil dhe penal, e nenit 6 nuk janë domosdoshmërisht reciprokisht përjashtuese (shih Albert dhe Le Compte kundër Belgjikës, 10 shkurt 1983, § 30, Seria A nr. 58). Prandaj çështja është nëse neni 6 i Konventës gjithashtu zbatohet sipas titullit të tij penal.
93. Duke pasur parasysh kriteret e Engel (shih Engel dhe të Tjerë kundër Hollandës, 8 qershor 1976, §§ 82-83, Seria A nr. 22), dalin një sërë konsideratash në lidhje me rreptësinë e sanksioneve ndaj kërkuesit. Ndërkohë që procedura e lustracionit në Poloni që çoi në shkarkimin e personave përkatës mund të jetë shembull krahasimi deri në një masë të caktuar, Gjykata është shprehur që në atë rast dispozitat përkatëse të legjislacionit polak nuk ishin “të drejtuara ndaj një grupi individësh me status të veçantë – për shembull, në mënyrën e një ligji disiplinor”, por mbulonin një numër të madh qytetarësh; procedurat rezultuan në ndalimin e punësimit për një numër të madh postesh publike ndërkohë që ligji vendas nuk përcaktonte një listë të tërësishme (shih Matyjek kundër Polonisë (dec.), nr. 38184/03, §§ 53 dhe 54, ECHR 2006‑VII). Prandaj, kjo çështje është ndryshe, meqenëse në rastin konkret kërkuesi, i cili ka status të veçantë, u dënua për mos-përmbushjen e detyrave të tij profesionale – që do të thotë, për një vepër që hyn qartë brenda ligjit disiplinor. Sanksioni i vendosur mbi kërkuesin ishte një masë klasike disiplinore për sjellje të pahijshme profesionale dhe, me fjalët e së drejtës vendase, bënte kontrast me sanksionet në të drejtën penale për miratimin e një vendimi të gabuar me vetëdije nga një gjyqtar (shih nenin 375 i Kodit Penal lart). Gjithashtu, është me vend të përmendet që shkarkimi i kërkuesit nga posti i gjyqtarit nuk e ndalonte atë formalisht nga praktikimi i drejtësisë në një kapacitet tjetër brenda profesionit ligjor.
94. Më tej, Gjykata ka gjetur që lirimi nga forcat e armatosura nuk mund të shihet si dënim penal për qëllime të nenit 6 § 1 të Konventës (shih Tepeli dhe të Tjerë kundër Turqisë (dec.), nr. 31876/96, 11 shtator 2001, dhe Suküt kundër Turqisë (dec.), nr. 59773/00, 11 shtator 2007). Gjithashtu, Gjykata ka deklaruar shprehimisht që procedurat në lidhje me shkarkimin e një përmbaruesi për sjellje të shumta të pahijshme “nuk përfshinte përcaktimin e një akuze penale” (shih Bayer kundër Gjermanisë, nr. 8453/04, § 37, 16 korrik 2009).
95. Duke pasur parasysh ato që u thanë më lart, Gjykata konsideron që faktet e çështjes në fjalë nuk ofrojnë baza për përfundimin që çështja e shkarkimit të kërkuesit lidhej me përcaktimin e një akuze penale brenda kuptimit të nenit 6 të Konventës. Rrjedhimisht, ky nen nuk është i zbatueshëm sipas titullit të tij penal.
3. Përndryshe për sa i përket pranueshmërisë
96. Gjykata vëren më tej që ankesat e lartpërmendura sipas nenit 6 § 1 të Konventës nuk janë dukshëm të pabaza brenda kuptimit të nenit 35 § 3 (a) të Konventës. Ato nuk janë të papranueshme mbi baza të tjera. Prandaj, ato duhet të shpallen të pranueshme.
B. Themelet
1. Për sa u përket parimeve të një “tribunali të pavarur dhe të paanshëm”
(a) Parashtrimet e kërkuesit
97. Kërkuesi u ankua që çështja e tij nuk ishte shqyrtuar nga një “tribunal i pavarur dhe i paanshëm”. Në mënyrë të veçantë, këto kritere nuk ishin përmbushur nga HCJ për shkak të mënyrës së përbërjes së tij, nënshtrimit të anëtarëve të tij ndaj organeve të tjera të Shtetit dhe njëanshmërisë personale të disa prej anëtarëve të tij në çështjen e kërkuesit. Kërkuesi pretendoi më hollësisht që S.K., V.K. dhe R.K. nuk mund të kishin qenë të paanshëm në vendosjen e çështjes së tij. Kriteret e pavarësisë dhe paanshmërisë nuk ishin përmbushur në fazat e mëpasme të procedurave, përfshirë edhe ato para HAC, çka kishte dështuar të ofronte qoftë garancitë e nevojshme, qoftë ridëgjimin e duhur të çështjeve.
98. Më tej, sipas kërkuesit, shqyrtimi i çështjes së tij nga HAC nuk mund të shihej si i mjaftueshëm për mënjanimin e defekteve ekzistuese procedurale në fazat më të hershme. Në mënyrë të veçantë, HAC nuk kishte arritur të prishte formalisht vendimet lidhur me shkarkimin e tij dhe, në mungesë të rregullores, kishte mbetur e paqartë se cilat ishin pasojat procedurale të shpalljes së atyre vendimeve si të paligjshme. Më tej, mënyra se si HAC e kishte shqyrtuar çështjen e kërkuesit sugjeronte që nuk i ishte dhënë përgjigje e duhur argumenteve dhe parashtrimeve të tij të rëndësishme dhe me vend lidhur me mungesën e një baze faktike për shkarkimin e tij, njëanshmërinë personale të anëtarëve të HCJ, dhe parregullsive në procedurën e votimit në Parlament.
(b) Parashtrimet e Qeverisë
99. Qeveria argumentoi që e dreja vendase kishte ofruar garanci të mjaftueshme për pavarësinë dhe paanshmërinë e HCJ. Në të njëjtën kohë, nuk kishte pasur tregues të njëanshmërisë personale nga ndonjëri prej anëtarëve të HCJ që kishte vendosur çështjen e kërkuesit. Në mënyrë të veçantë, deklaratat e dhëna nga S.K. në media të cilave iu referua kërkuesi faktikisht ishin bërë më shumë se gjashtë muaj para ngjarjeve të shqyrtuara në çështjen në fjalë. Prandaj, nuk kishte pasur lidhje shkakësore mes këtyre deklaratave dhe shkarkimit të kërkuesit. Nuk kishte pasur argumente të qëndrueshme në mbështetje të pohimit që R.K dhe V.K. kishin qenë të njëanshëm. Sidoqoftë, vendimi i HCJ ishte marrë nga një shumicë, dhe njëanshmëria e pretenduar e disa anëtarëve të caktuar të HCJ nuk mund të kishte ndikuar paanshmërinë e atij organi.
100. Qeveria më tej pranoi që kishte pasur një masë të caktuar mbivendosjesh në përbërjen e HCJ dhe komisionit parlamentar që ka shqyrtuar çështjen e kërkuesit pasi ajo i ishte referuar Parlamentit. Megjithatë, komisioni kishte qenë një organ kolegjial i cili kishte marrë një vendim me votë shumice dhe ai vendim nuk kishte qenë detyrues në mbledhjen plenare të Parlamentit.
101. Qeveria diskutoi që nuk kishte pasur arsye për të dyshuar në pavarësinë dhe paanshmërinë e HAC.
102. Më tej, sipas Qeverisë, shqyrtimi i bërë nga HAC kishte qenë i mjaftueshëm për të zgjidhur çdo defekt të pretenduar në drejtësinë procedurale që mund të kishte dalë në fazat e mëhershme të procedurave vendase. Qeveria specifikoi në këtë aspekt që kompetenca e HAC për t’i shpallur të paligjshme vendimet e HCJ dhe Parlamentit mbi shkarkimin e një gjyqtari kishte qenë e mjaftueshme, meqenëse kjo nënkuptonte që një gjyqtar do të trajtohej si të mos ishte i shkarkuar. Në mbështetje të parashtrimeve të saj, Qeveria dha shembuj të praktikës gjyqësore vendase ku gjyqtarët kishin sfiduar me sukses vendimet për shkarkimin e tyre dhe më pas kishin nisur procedura gjyqësore për rikthim në post. Në këtë kontekst, ajo pohoi që mënyra në të cilën HAC kishte shqyrtuar çështjen e kërkuesit kishte qenë e përshtatshme dhe të gjitha argumentet e duhura dhe me vend të paraqitura nga kërkuesi ishin trajtuar si duhet. Në mënyrë të veçantë, HAC kishte dhënë një përgjigje të përshtatshme ndaj pretendimit të kërkuesit për shkeljen e procedurës së votimit në Parlament. Në mënyrë të ngjashme, HAC kishte trajtuar si duhet edhe kontestimin e kërkuesit lidhur me shkeljen e kriterit të pavarësisë dhe paanshmërisë në fazat e mëhershme të procedurës.
(c) Vlerësimi i Gjykatës
103. Për të vendosur nëse një tribunal mund të konsiderohet “i pavarur” brenda kuptimit të nenit 6 § 1, duhet të merret parasysh, inter alia, mënyra e emërimit të anëtarëve të tij dhe mandati i tyre, ekzistimi i mbrojtjeve kundër presionit të jashtëm dhe çështja nëse organi paraqet imazhin e pavarësisë (shih Findlay kundër Mbretërisë së Bashkuar, 25 shkurt 1997, § 73, Përmbledhje e Vendimeve 1997-I, dhe Brudnicka dhe të Tjerë kundër Polonisë, nr. 54723/00, § 38, ECHR 2005-II). Gjykata thekson që nocioni i ndarjes së pushteteve mes organeve politike të qeverisë dhe gjyqësorit ka marrë rëndësi gjithmonë e më të madhe në praktikën e vet gjyqësore (shih Stafford kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 46295/99, § 78, ECHR 2002-IV). Në të njëjtën kohë, as neni 6 e as ndonjë dispozitë tjetër e Konventës nuk u kërkon Shteteve të veprojnë në pajtim me ndonjë koncept teorik kushtetues lidhur me kufijtë e lejueshëm të ndërveprimit të pushteteve (shih Kleyn dhe të Tjerë kundër Holandës [GC], nr. 39343/98, nr. 39651/98, nr. 43147/98 dhe nr. 46664/99, § 193, ECHR 2003‑VI).
104. Si rregull, paanshmëria nënkupton mungesën e paragjykimeve ose njëanshmërisë. Sipas praktikës gjyqësore të vendosur të Gjykatës, ekzistenca e paanshmërisë për qëllimet e nenit 6 § 1 duhet të vendoset sipas: (i) testit subjektiv, ku duhet marrë parasysh çdo bindje personale dhe sjellje e një gjyqtari të caktuar – d.m.th. kur një gjyqtar ka pasur ndonjë paragjykim ose njëanshmëri personale ndaj një çështjeje të caktuar; dhe (ii) një testi objektiv, d.m.th. duke u siguruar nëse tribunali vetë dhe, mes aspekteve të tjera, përbërja e tij, ofronin garanci të mjaftueshme për të përjashtuar çdo dyshim legjitim në lidhje me paanshmërinë e tij (shih, mes autoriteteve të tjera, Fey kundër Austrisë, 24 shkurt 1993, §§ 28 dhe 30, Seria A nr. 255, dhe Wettstein kundër Zvicrës, nr. 33958/96, § 42, ECHR 2000-XII).
105. Megjithatë, nuk ka një ndarje të papërshkueshme mes paanshmërisë subjektive dhe asaj objektive, meqenëse sjellja e një gjyqtari mundet që jo vetëm të nxisë dyshime lidhur me paanshmërinë e tij nga pikëpamja e vëzhguesit të jashtëm (testi objektiv), por mundet edhe të shkojë deri tek bindja e tij personale (testi subjektiv) (shih Kyprianou kundër Qipros [GC], nr. 73797/01, § 119, ECHR 2005‑XIII). Kështu, në disa çështje ku mund të jetë e vështirë të sigurohen prova me të cilat të kundërshtohet prezumimi i paanshmërisë subjektive të gjyqtarit, kriteri për paanshmëri objektive ofron një garanci tjetër të rëndësishme (shih Pullar kundër Mbretërisë së Bashkuar, 10 qershor 1996, § 32, Raportet 1996‑III).
106. Në këtë aspekt, edhe paraqitja mund të ketë njëfarë rëndësie ose, me fjalë të tjera, “drejtësia nuk duhet vetëm të realizohet, por ajo duhet edhe të shihet që është realizuar”. Ajo që është në rrezik është besimi që gjykatat në një shoqëri demokratike duhet të ngjallin tek publiku (shih De Cubber kundër Belgjikës, 26 tetor 1984, § 26, Seria A nr. 86).
107. Së fundi, konceptet e pavarësisë dhe paanshmërisë objektive janë të lidhura ngusht dhe, varësisht nga rrethanat, mund të kërkojnë shqyrtim të përbashkët (shih Sacilor-Lormines kundër Francës, nr. 65411/01, § 62, ECHR 2006‑XIII). Duke pasur parasysh faktet e çështjes në fjalë, Gjykata e sheh me vend të shqyrtojë çështjet e pavarësisë dhe paanshmërisë së bashku.
108. Gjykata ka vërejtur (shih paragrafët 89 dhe 90 lart) që HCJ dhe Parlamenti kanë kryer funksionin e përcaktimit të çështjes lidhur me kërkuesin dhe miratimin e vendimit detyrues. Më tej, HAC ka zhvilluar një shqyrtim të gjetjeve dhe vendimeve të marra nga ato organe. Prandaj, Gjykata duhet të shqyrtojë së pari nëse parimet e një tribunali të pavarur dhe të paanshëm janë respektuar në fazën e përcaktimit të çështjes së kërkuesit dhe dhënies së një vendimi detyrues.
(i) Pavarësia dhe paanshmëria e organeve që vendosin çështjen e kërkuesit
(α) HCJ
109. Gjykata është shprehur që aty ku të paktën gjysma e anëtarësisë së një tribunali përbëhet nga gjyqtarë, përfshirë kryetarin me të drejtë vote, ky është tregues i fuqishëm i paanshmërisë (shih Le Compte, Van Leuven dhe De Meyere kundër Belgjikës, 23 qershor 1981, § 58, Seria A nr. 43). Vlen të theksohet që për sa u përket procedurave disiplinore kundër gjyqtarëve, nevoja për përfaqësim substancial të gjyqtarëve në organin disiplinor përkatës njihet nga Karta Evropiane mbi statutin e gjyqtarëve (shih paragrafin 78 lart).
110. Gjykata vëren që, në përputhje me nenin 131 të Kushtetutës dhe Ligjit për HCJ të vitit 1998, HCJ përbëhet nga njëzet anëtarë, të cilët emërohen nga organe të ndryshme. Megjithatë, ajo që duhet theksuar është se tre anëtarë emërohen direkt nga Presidenti i Ukrainës, tre anëtarë të tjerë emërohen nga Parlamenti i Ukrainës, dhe dy anëtarë të tjerë emërohen nga Konferenca Mbarë-Ukrainase e Prokurorëve. Ministri i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm janë anëtarë ex officio të HCJ. Rrjedh që efekti i parimeve që qeverisin përbërjen e HCJ, siç janë shkruar në Kushtetutë dhe përpunuar në Ligjin për HCJ të vitit 1998, ishte që stafi jo-gjyqësor i emëruar drejtpërdrejt nga ekzekutivi dhe autoritetet ligjvënëse përfshinte shumicën dërrmuese të anëtarëve të HCJ.
111. Si rezultat, çështja e kërkuesit u vendon nga gjashtëmbëdhjetë anëtarë të HCJ të cilët morën pjesë në seancë, vetëm tre prej të cilëve ishin gjyqtarë. Kështu, gjyqtarët përbënin një pakicë të vogël të anëtarëve në seancën e HCJ lidhur me çështjen e kërkuesit (shih paragrafin 24 lart).
112. Vetëm në amendamentet e 7 korrikut 2010 Ligji për HCJ i vitit 1998 u plotësua me kritere të tilla si p.sh. dhjetë anëtarë të HCJ duhet të emëroheshin nga trupa gjyqësore. Megjithatë, këto amendamente nuk ndikuan në çështjen e kërkuesit. Sidoqoftë, ata janë të pamjaftueshme, meqenëse organet që emërojnë anëtarët e HCJ janë të njëjtat, me vetëm tre gjyqtarë të zgjedhur nga kolegët e tyre. Duke marrë parasysh rëndësinë e reduktimit të ndikimit të organeve politike të qeverisë mbi përbërjen e HCJ dhe nevojën për të siguruar nivelin e kërkuar të përbërjes së HCJ, mënyra se si emërohen gjyqtarët në organet disiplinore është po ashtu relevante për sa i përket vetqeverisjes gjyqësore. Siç u tha nga Komisioni i Venedikut, procedurat e ndryshuara nuk e kanë zgjidhur problemin, meqenëse vetë emërimi është bërë përsëri nga të njëjtat autoritete dhe jo nga trupa gjyqësore (shih paragrafët 28 dhe 29 të Opinionit të Komisionit të Venedikut, cituar në paragrafin 79 lart).
113. Më tej, Gjykata vëren që në përputhje me nenin 19 të Ligjit për HCJ të vitit 1998, vetëm katër anëtarë punojnë aty me kohë të plotë. Anëtarët e tjera vazhdojnë punën dhe marrin rrogë jashtë HCJ, çka në mënyrë të pashmangshme përfshin varësinë e tyre materiale, hierarkike dhe administrative nga punëdhënësit e tyre të parë dhe rrezikon si pavarësinë ashtu edhe paanshmërinë e tyre. Në mënyrë të veçantë, në çështjen e Ministrit të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm, të cilët janë anëtarë ex officio të HCJ, humbja e punës së tyre të parë nënkupton dorëheqjen nga HCJ.
114. Gjykata i referohet opinionit të Komisionit të Venedikut sipas të cilit përfshirja e Prokurorit të Përgjithshëm si anëtar ex officio i HCJ ngre shqetësime të mëtejshme, meqenëse mund të ketë përpjekje penguese tek gjyqtarët dhe të perceptohet si kërcënim potencial. Në mënyrë të veçantë, Prokurori i Përgjithshëm është në krye të hierarkisë së sistemit prokurorial dhe mbikqyr të gjithë prokurorët. Sipas rolit të tyre funksional, prokurorët marrin pjesë në shumë çështje në të cilat gjyqtarët duhet të marrin vendime. Prania e Prokurorit të Përgjithshëm në një organ që merret me emërimin, disiplinimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve krijon një rrezik që gjyqtarët të mos veprojnë në mënyrë të paanshme në raste të tilla ose që Prokurori i Përgjithshëm nuk do të veprojë në mënyrë të paanshme karshi gjyqtarëve me vendimet e të cilëve ai nuk është dakord (shih paragrafin 30 të Opinionit të Komisionit të Venedikut, cituar në paragrafin 79 lart). E njëjta gjë vlen edhe për sa u përket anëtarëve të tjerë të HCJ të emëruar nga Konferenca Mbarë-Ukrainase e Prokurorëve mbi bazën e kuotave. Shqetësimet e shprehura nga Komisioneri për të Drejtat e Njeriut pranë Këshillit të Evropës e ilustrojnë mjaft mirë këtë aspekt (shih paragrafin 42 për raportin e cituar në paragrafin 80 lart).
115. Më tej Gjykata vëren se anëtarët e HCJ të cilët kanë zhvilluar hetimet paraprake në çështjen e kërkuesit dhe kanë paraqitur kërkesa për shkarkimin e tij (R.K. dhe V.K.) më pas kanë marrë pjesë në vendimet për heqjen e kërkuesit nga detyra. Për më tepër, njëri prej atyre anëtarëve (V.K.) u emërua kryetar i HCJ dhe kryesoi seancën dëgjimore për çështjen e kërkuesit. Roli i këtyre anëtarëve në ngritjen e akuzave disiplinore kundër kërkuesit, mbi bazën e rezultateve të hetimeve paraprake të vetë atyre, hedh dyshime objektive mbi paanshmërinë e tyre në vendosjen e themeleve të çështjes së kërkuesit (krahasoni Werner kundër Polonisë, nr. 26760/95, §§ 43 dhe 44, 15 nëntor 2001).
116. Kundërshtimet e kërkuesit lidhur me njëanshmërinë personale tek disa anëtarë të caktuar të HCJ po ashtu duhen marrë parasysh për sa u përket aktiviteteve të kryetarit (S.K.) të komisionit parlamentar për gjyqësorin, i cili ishte po ashtu anëtar i HCJ. Së pari, roli i tij në refuzimin [6] e lejimit të kërkuesit që të bënte betimin e detyrës si anëtar i HCJ nuk duhet të neglizhohet. Së dyti, opinioni i tij i publikuar në gazetën zyrtare parlamentare më 14 qershor 2007 sugjeronte që ai e kundërshtonte fuqimisht vendimin e përkohshëm të gjykatës në çështjen lidhur me paligjshmërinë e rezolutës parlamentare në një procedurë të përkohshme për emërimin e kryetarëve dhe zëvendës kryetarëve të gjykatave vendase. Megjithëse S.K. nuk e kritikoi atë drejtpërdrejt, është e dukshme që ai nuk ishte dakord me veprimet e kërkuesit, i cili kishte qenë paditës në atë çështje. Gjykata nuk është bindur nga pretendimi i Qeverisë që deklarata e tij publike është dhënë shumë më herët, para se të fillonin procedurat disiplinore. Duke pasur parasysh që koha mes dy ngjarjeve, siç pretendohet nga Qeveria, ka qenë rreth gjashtë muaj, kjo periudhë nuk mund të konsiderohet mjaftueshëm e gjatë për të hequr ndonjë lidhje shkakësore në këtë aspekt.
117. Rrjedhimisht, faktet e kërkesës aktuale zbulojnë disa çështje serioze të cilat tregojnë si mangësi strukturore në procedurat para HCJ ashtu edhe dukjen e njëanshmërisë personale nga anëtarë të caktuar të HCJ që vendosën çështjen e kërkuesit. Prandaj, Gjykata arrin në përfundimin që procedurat para HCJ nuk kanë qenë në përputhje me parimet e pavarësisë dhe paanshmërisë që kërkohen nga neni 6 § 1 i Konventës.
(β) “Pavarësia dhe paanshmëria” në fazën parlamentare
118. Përcaktimi i mëpasëm i çështjes nga Parlamenti, organi legjislativ, nuk i hiqte defektet strukturore të një mungese të “pavarësisë dhe paanshmërisë” por thjesht i kontribonte më tej politizimit të procedurës dhe rëndimit të papajtueshmërisë së procedurës me parimin e ndarjes së pushteteve.
- Komisioni parlamentar
119. Për sa u përket procedurave para komisionit parlamentar, kryetari i komisionit (S.K.) dhe një prej anëtarëve të tij ishin gjithashtu anëtarë të HCJ dhe morën pjesë në vendosjen e çështjes së kërkuesit në të dy nivelet. Rrjedhimisht, ata mund të mos kenë vepruar në mënyrë të paanshme gjatë shqyrtimit të parashtrimeve nga HCJ (shih, mutatis mutandis, Oberschlick kundër Austrisë (nr. 1), 23 maj 1991, §§ 50-52, Seria A nr. 204). Përveç kësaj, konsideratat e Gjykatës në lidhje me mungesën e paanshmërisë personale, siç përcaktohet në paragrafin 116 lart, janë po aq me vend në këtë fazë të procedurës. Për më tepër, duhet të merret si duhet parasysh edhe fakti që S.K., së bashku me dy anëtarë të komisionit parlamentar, bënë kërkesë në HCJ duke kërkuar fillimin e hetimeve paraprake për sjelljen e mundshme të pahijshme të kërkuesit.
120. Në të njëjtën kohë, anëtarët e HCJ nuk mund të tërhiqeshin meqenëse nuk parashikohej asnjë procedurë nga Ligji për Gjyqtarët (Zgjedhja dhe Shkarkimi) i vitit 2004. Kjo tregon mungesë të garancive të duhura për përputhshmërinë e procedurave me testin e paanshmërisë objektive (shih, mutatis mutandis, Micallef kundër Maltës [GC], nr. 17056/06, §§ 99 dhe 100, ECHR 2009).
- Mbledhja plenare e Parlamentit
121. Për sa i përket mbledhjes plenare të Parlamentit, çështja iu prezantua anëtarëve të Parlamentit nga S.K. dhe V.K. (shih paragrafin 27 lart). Megjithatë, procedura në thelb përfshinte thjesht një shkëmbim të mendimeve të përgjithshme të bazuara mbi përfundimet e HCJ dhe komisionit parlamentar. Në këtë fazë, përcaktimi i çështjes ishte i kufizuar në miratimin e një vendimi detyrues të bazuar mbi gjetjet e mëparshme nga HCJ dhe komisioni parlamentar.
122. Në tërësi, faktet e çështjes në fjalë sugjerojnë që procedura në mbledhjen plenare nuk ka qenë një forum i përshtatshëm për shqyrtimin e çështjeve të fakteve the ligjit, vlerësimit të provave dhe bërjes së karakterizimit ligjor të fakteve. Roli i politikanëve në Parlament, të cilëve nuk u kërkohej të kishin përvojë ligjore dhe gjyqësore për të përcaktuar çështje komplekse faktesh dhe ligji në një çështje disiplinore individuale, nuk është sqaruar mjaftueshëm nga Qeveria dhe nuk është arsyetuar të ishte në përputhje me kriteret e pavarësisë dhe paanshmërisë të një tribunali sipas nenit 6 të Konventës.
(ii) Nëse çështjet e “pavarësisë dhe paanshmërisë” janë zgjidhur nga HAC
123. Sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës, edhe në rastin kur një trup gjykues që vendos mbi çështje të “të drejtave dhe detyrimeve civile” nuk vepron në pajtim me nenin 6 § 1 në një aspekt të caktuar, nuk mund të gjendet asnjë shkelje e Konventës nëse procedurat para atij organi “i nënshtrohen një kontrolli të mëpasëm nga një organ gjyqësor që ka juridiksion të plotë dhe ofron garancitë e nenit 6 § 1” (shih Albert dhe Le Compte, cituar lart, § 29, dhe Tsfayo kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 60860/00, § 42, 14 nëntor 2006). Për të përcaktuar nëse tribunali i shkallës së dytë në përputhje me nenin 6 ka pasur “juridiksion të plotë”, apo nëse ka paraqitur “mjaftueshmërinë e shqyrtimit” për të zgjidhur një mungesë të pavarësisë në shkallën e parë, është e nevojshme të merren parasysh faktorë të tillë si lënda e vendimit të apeluar, mënyra se si është arritur deri tek ai vendim dhe përmbajtja e mosmarrëveshjes, përfshirë bazat e dëshiruara dhe faktike të apelit (shih Bryan kundër Mbretërisë së Bashkuar, 22 nëntor 1995, §§ 44-47, Seria A nr. 335‑A, dhe Tsfayo, cituar lart, § 43).
(α) Për sa i përket “mjaftueshmërisë së shqyrtimit”
124. Gjykata nuk është bindur që HAC ka ofruar shqyrtim të mjaftueshëm në çështjen e kërkuesit, për arsyet e mëposhtme.
125. Së pari, lind pyetja nëse HAC mund t’i shqyrtonte efektivisht vendimet e HCJ dhe Parlamentit, duke ditur se HAC ka pushtet t’i shpallë këto vendime të paligjshme pa pasur mundësi t’i prishë ato dhe të marrë hapa të mëtejshëm nëse vlerësohet e nevojshme. Megjithëse zakonisht nuk ka pasoja ligjore të shpalljes së një vendimi si të paligjshëm, Gjykata konsideron që pamundësia e HAC për të prishur formalisht vendimet e kundërshtuara dhe mungesa e rregullave lidhur me vazhdimin e procedurave disiplinore prodhon një sasi të konsiderueshme pasigurie lidhur me pasojat reale ligjore të shpalljeve të tilla gjyqësore.
126. Praktika gjyqësore e zhvilluar në këtë fushë mund të jetë orientuese në këtë aspekt. Qeveria paraqiti kopje të vendimeve të gjykatave vendase në dy çështje. Megjithatë, këto shembuj tregojnë që pasi HAC e kishte shpallur shkarkimin e gjyqtarëve të paligjshëm, kërkuesve u ishte dashur të hapnin procedura të ndara për rikthimin në detyrë. Ky material nuk hedh dritë mbi mënyrën se si duhen zhvilluar procedurat disiplinore (në mënyrë të veçantë, hapat që duhen marrë nga autoritetet e përfshira pasi vendimet e kundërshtuara shpallen të paligjshme dhe mbi afatet kohore për zbatimin e atyre masave) por thjesht sugjeron që nuk ka rikthim automatik në postin e gjyqtarit vetëm mbi bazën e vendimit deklarativ të HAC. Prandaj, materiali i paraqitur tregon që pasojat ligjore që dalin nga shqyrtimi i materialit nga HAC për çështje të tilla janë të kufizuara dhe përforcon dyshimet e Gjykatës lidhur me mundësinë e HAC për ta zgjidhur çështjen në mënyrë efektive dhe për të bërë një shqyrtim të mjaftueshëm të çështjes.
127. Së dyti, duke parë mënyrën se si HAC ka ardhur deri tek vendimi në çështjen e kërkuesit dhe fushëveprimin e mosmarrëveshjes, Gjykata vëren që argumentet e rëndësishme të paraqitura nga kërkuesi nuk janë adresuar si duhet nga HAC. Në mënyrë të veçantë, Gjykata nuk konsideron që pretendimi i kërkuesit për mungesën e paanshmërisë nga ana e anëtarëve të HCJ dhe të komisionit parlamentar është shqyrtuar me zellin e kërkuar. Konstatimet e Qeverisë në këtë aspekt nuk janë bindëse.
128. Më tej, HAC nuk ka bërë përpjekje të sinqerta për të shqyrtuar kontestimin e kërkuesit nëse vendimi parlamentar mbi shkarkimin e tij kishte qenë në përputhje me Ligjin për Statusin e Anëtarëve të Parlamentit i vitit 1992 dhe Rregullave të Parlamentit, pavarësisht nga fakti që ai kishte kompetencë ta bënte këtë (shih nenin 171-1 §§ 1 dhe 5 të Kodit të Drejtësisë Administrative, cituar lart) dhe kërkuesi e ka ngritur këtë çështje qartazi në pretendimin e tij dhe ka paraqitur prova relevante (shih paragrafët 29 dhe 33 lart). HAC nuk bëri asnjë vlerësim të provave të kërkuesve. Ndërkohë, pretendimi i kërkuesit për paligjshmërinë e procedurës së votimit në Parlament u riinterpretua më vonë si pretendim rreth pakushtetutshmërisë së rezolutës parlamentare përkatëse. Duke vepruar në këtë mënyrë, HAC i është shmangur diskutimeve në lidhje me çështjen në favor të Gjykatës Kushtetuese, në të cilën kërkuesi nuk ka qasje të drejtpërdrejtë (shih Bogatova kundër Ukrainës, nr. 5231/04, § 13, 7 tetor 2010, me referenca të mëtejshme).
129. Prandaj Gjykata konsideron që shqyrtimi i çështjes së kërkuesit nga HAC nuk ishte i mjaftueshëm dhe kështu nuk mund të neutralizonte defektet lidhur me drejtësinë procedurale në fazat e mëparshme të procedurave vendase.
(β) Për sa u përket kritereve të pavarësisë dhe paanshmërisë në fazën e shqyrtimit të HAC
130. Gjykata vëren që shqyrtimi gjyqësor është zhvilluar nga gjyqtarë të HAC të cilët gjithashtu kanë qenë nën juridiksionin disiplinor të HCJ. Kjo do të thotë që këto gjyqtarë mund t’u nënshtroheshin po ashtu procedurave disiplinore para HCJ. Duke pasur parasysh pushtetin e gjerë të HCJ për sa i përket karrierës së këtyre gjyqtarëve (emërimi, disiplinimi dhe shkarkimi) dhe mungesën e mbrojtjes së pavarësisë dhe paanshmërisë së HCJ (siç u shqyrtua më lart), Gjykata nuk është bindur që gjyqtarët e HAC që kanë marrë në shqyrtim çështjen e kërkuesit, ku HCJ ishte palë, kanë qenë në gjendje të demonstrojnë “pavarësinë dhe paanshmërinë” e kërkuar nga neni 6 i Konventës.
(iii) Përfundimi
131. Kështu, Gjykata vendos që autoritetet vendase nuk kanë arritur të siguronin një përcaktim të pavarur dhe të paanshëm të çështjes së kërkuesit dhe që shqyrtimi i mëtejshëm i çështjes së tij nuk i ka korrigjuar ato defekte. Prandaj, ka pasur shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës në këtë aspekt.
2. Respektimi i parimit të sigurisë ligjore për sa i përket mungesës së periudhës së kufizimit për procedurat kundër kërkuesit
(a) Parashtrimet e palëve
132. Kërkuesi u ankua që procedurat para HCJ kishin qenë të padrejta, për faktin se ato nuk ishin zhvilluar sipas procedurës së parashikuar në kreun katër të Ligjit për HCJ të vitit 1998, i cili ofronte një sërë garancish të rëndësishme procedurale, përfshirë periudhat e kufizimit për dënimet disiplinore. Në të njëjtën kohë, arsyet e dhëna nga HAC për zbatimin e një procedure tjetër nuk kishin qenë të mjaftueshme.
133. Kërkuesi u shpreh se zbatimi i një periudhe kufizimi në çështjen e tij kishte qenë me rëndësi në mënyrë që të sigurohej parimi i sigurisë ligjore. Duke dështuar në zbatimin e periudhës së kufizimit në rastin e tij, autoritetet e Shtetit kishin shkelur të drejtën e tij për gjyq të drejtë.
134. Qeveria e kundërshtoi këtë ankesë dhe parashtroi që statusi ligjor i një gjyqtari përfshinte si garancitë e pavarësisë së tij në administrimin e drejtësisë ashtu edhe mundësinë e mbajtjes së tij përgjegjës për mos-zbatimin e detyrave të tij. Meqenëse “shkelja e betimit” ishte vepër e rëndë, kufiri kohor për mbajtjen e kërkuesit përgjegjës nuk mund të zbatohej.
(b) Vlerësimi i Gjykatës
135. Gjykata vëren që mosmarrëveshja e kërkuesit me procedurën e zgjedhur është çështje interpretimi të së drejtës vendase, çka është kryesisht çështje e autoriteteve vendase. Megjithatë, Gjykatës i kërkohet të verifikojë nëse mënyra se si interpretohet dhe zbatohet e drejta vendase ka pasoja të cilat janë në përputhje me parimet e Konventës, siç interpretohen në frymën e praktikës gjyqësore të Gjykatës (shih Scordino kundër Italisë (nr. 1) [GC], nr. 36813/97, §§ 190 dhe 191, ECHR 2006-V).
136. Gjykata konsideron që HAC ka dhënë arsye të mjaftueshme përse procesi është zhvilluar sipas një procedure të ndryshme prej asaj të cituar nga kërkuesi (shih paragrafin 37 lart). Zbatimi i procedurës së ndryshme nuk mund të shihet si i paparashikueshëm, arbitrar ose dukshëm i paarsyeshëm. Megjithatë, mbetet çështja nëse mungesa e pretenduar e mbrojtjes së veçantë tek e cila ai mbështetet, pra mungesa e periudhës kufizuese për caktimin e një dënimi disiplinor për “shkeljen e betimit” nga një gjyqtar, ka pasur ndikim në drejtësinë e procedurës.
137. Gjykata është shprehur që periudhat e kufizimit shërbejnë për disa qëllime të rëndësishme, më saktësisht për të konfirmuar sigurinë ligjore dhe finalitetin, për të mbrojtur të pandehurit e mundshëm nga pretendime të vjetra të cilat mund të jenë të vështira për t’u përballur dhe për të parandaluar ndonjë padrejtësi që mund të dalë nëse gjykatave u kërkohet të vendosin në lidhje me ngjarje të cilat kanë ndodhur në të kaluarën e largët mbi bazën e provave të cilat mund të jenë bërë të pabesueshme dhe të paplota për shkak të kalimit të kohës (shih Stubbings dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar, 22 tetor 1996, § 51, Raporte 1996‑IV). Periudhat e kufizimit janë tipar i zakonshëm i sistemeve ligjore të Shteteve Kontraktuese për sa u përket veprave penale, disiplinore dhe veprave të tjera.
138. Për sa i përket çështjes së kërkuesit, faktet e shqyrtuara nga HCJ në vitin 2010 datojnë mbrapa në vitet 2003 dhe 2006 (shih paragrafët 17 dhe 18 lart). Prandaj kërkuesi është vënë në pozitë të vështirë, meqenëse atij i është dashur të hartonte mbrojtjen e tij në lidhje me ngjarje disa prej të cilave kishin ndodhur në të kaluarën e largët.
139. Nga vendimi i HAC në çështjen e kërkuesit dhe parashtrimet e Qeverisë duket se e drejta vendase nuk parashikon ndonjë pengesë kohore në procedurat për shkarkimin e një gjyqtari për “shkelje të betimit”. Ndërkohë që Gjykata nuk e sheh me vend të tregojë se cila do të duhet të ishte kohëzgjatja e periudhës kufizuese, ajo konsideron që një qasje e tillë e hapur në çështjet disiplinore përbën një kërcënim serioz ndaj parimit të sigurisë ligjore.
140. Në këto rrethana, Gjykata gjen që ka pasur shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës në këtë aspekt.
3. Respektimi i parimit të sigurisë ligjore gjatë mbledhjes plenare të Parlamentit
(a) Parashtrimet e palëve
141. Kërkuesi u ankua që Parlamenti kishte miratuar vendimin për heqjen e tij nga posti duke shkelur në mënyrë të dukshme ligjin përmes abuzimit të sistemit të votimit elektronik. Ai konstatoi që gjatë votimit plenar mbi shkarkimin e tij disa anëtarë të Parlamentit kishin hedhur në mënyrë të paligjshme votat që u përkisnin anëtarëve të tjerë të Parlamentit të cilët nuk kishin qenë aty. Në mbështetje të kësaj ankese, kërkuesi iu referua video-incizimit të procedurave në mbledhjen plenare të Parlamentit dhe deklaratave të katër anëtarëve të Parlamentit të certifikuara nga një noter.
142. Qeveria u shpreh se vendimi parlamentar mbi shkarkimin e kërkuesit kishte qenë i ligjshëm dhe provat e paraqitura nga kërkuesi në të kundërt nuk mund të konsideroheshin të besueshme sepse vërtetësia e tyre nuk ishte vlerësuar nga autoritetet vendase.
(b) Vlerësimi i Gjykatës
143. Gjykata është shprehur që rregullat e procedurës janë hartuar për të siguruar administrimin e duhur të drejtësisë dhe respektimin e parimit të sigurisë ligjore, dhe që ndërgjygjësit duhet të kenë të drejtë të presin që ato rregulla të zbatohen. Parimi i sigurisë ligjore nuk zbatohet vetëm në lidhje me ndërgjygjësit por edhe për gjykatat kombëtare (shih Diya 97 kundër Ukrainës, nr. 19164/04, § 47, 21 tetor 2010, me referenca të mëtejshme). Parimi është po ashtu i zbatueshëm edhe në procedurat e shkarkimit të kërkuesit, përfshirë procesin vendimmarrës në mbledhjen plenare të Parlamentit.
144. Gjykata vëren që faktet që mbështesin këtë ankesë konfirmohen nga deklarata e kërkuesit, i cili e ka vëzhguar votimin plenar, nga deklaratat e certifikuara të katër anëtarëve të Parlamentit dhe nga video e procedurave. Qeveria nuk paraqiti ndonjë argument të besueshëm që vinte në pyetje vërtetësinë e këtyre provave. Nga ana e saj, Gjykata nuk gjen arsye që ta konsiderojë këtë material provues të pabesueshëm.
145. Pas shqyrtimit të materialit të lartpërmendur, Gjykata gjen që vendimi për shkarkimin e kërkuesit është votuar në mungesë të shumicës së anëtarëve të Parlamentit. Anëtarët e pranishëm të Parlamentit me qëllim dhe në mënyrë të paligjshme kanë hedhur votën në vend të kolegëve të tyre që mungonin. Prandaj vendimi është marrë në shkelje të nenit 84 të Kushtetutës, seksioni 24 i Ligjit për Statusin e Anëtarëve të Parlamentit të vitit 1992 dhe nenit 47 të Rregullores së Parlamentit, ku kërkohet që anëtarët e Parlamentit duhet të marrin pjesë personalisht në mbledhje dhe votime. Në këto rrethana, Gjykata konsideron që votimi për shkarkimin e kërkuesit ka minuar parimin e sigurisë ligjore, në shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës.
146. Siç u shënua më lart, ky defekt në drejtësinë procedurale nuk është korrigjuar në fazën e mëpasme të procedurës, meqenëse HAC nuk është marrë me këtë çështje në mënyrën e duhur.
147. Prandaj ka pasur shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës në këtë aspekt.
4. Respektimi i parimit të një “tribunali të ngritur sipas ligjit”
(a) Parashtrimet e palëve
148. Kërkuesi u ankua që çështja e tij nuk ishte dëgjuar nga një “tribunal i ngritur sipas ligjit”. Për sa i përket dhomës së HAC e cila e kishte dëgjuar çështjen e tij, kërkuesi diskutoi që deri në kohën që kryetari i HAC e kishte formuar atë dhomë dhe kishte bërë propozime për përbërjen e saj individuale, mandati i tij kishte përfunduar dhe kështu ai e kishte mbajtur atë post administrativ pa ndonjë bazë ligjore.
149. Qeveria parashtroi që pas përfundimit të mandatit të tij në detyrë, kryetari i HAC duhet të ishte shkarkuar. Megjithatë, në mungesë të ndonjë procedure për shkarkimin e një gjyqtari nga një post administrativ, çdo veprim lidhur me shkarkimin e tij nuk do të kishte qenë ligjor. Më tej, ata argumentuan që autoriteti i kryetarit të HAC për të mbetur në atë post ishte mbështetur nga vendimi i Konferencës së Gjyqtarëve të Gjykatave Administrative.
(b) Vlerësimi i Gjykatës
150. Sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës, objekti i termit “përcaktuar me ligj” në nenin 6 të Konventës është të sigurojë “që organizimi gjyqësor në një shoqëri demokratike [të] mos varet nga diskrecioni i Ekzekutivit, por [të] rregullohet me ligj të dalë nga Parlamenti”. As në vendet ku ligji është i kodifikuar organizimi i sistemit gjyqësor nuk mund t’i lihet diskrecionit të autoriteteve gjyqësore, megjithëse kjo nuk do të thotë që gjykatat nuk do të kenë njëfarë hapësire për të interpretuar legjislacionin kombëtar përkatës (shih Fruni kundër Sllovakisë, nr. 8014/07, § 134, 21 qershor 2011, me referenca të mëtejshme).
151. Fraza “përcaktuar me ligj” mbulon jo vetëm bazën ligjore të vetë ekzistencës së një “tribunali”, por gjithashtu edhe përbërjen e trupit në secilën çështje (shih Buscarini kundër San Marinos (dec.), nr. 31657/96, 4 maj 2000, dhe Posokhov kundër Rusisë, nr. 63486/00, § 39, ECHR 2003-IV). Praktika e shtyrjeve të heshtura të mandateve të gjyqtarëve për një periudhë të pacaktuar pas përfundimit të afatit të tyre statusor në detyrë deri sa ata të riemërohen është gjetur të jetë në shkelje të parimit të një “tribunali të ngritur me ligj” (shih Gurov kundër Moldavisë, nr. 36455/02, §§ 37-39, 11 korrik 2006).
152. Për sa i përket çështjes në fjalë, duhet thënë që, në përputhje me nenin 171-1 të Kodit të Drejtësisë Administrative, çështja e kërkuesit mund të dëgjohej ekskluzivisht nga një dhomë e posaçme e HAC. Sipas seksionit 41 të Ligjit për Sistemin Gjyqësor të vitit 2002, kjo dhomë e posaçme duhet të ngrihej me një vendim të kryetarit të HAC; përbërja personale e asaj dhome caktohej nga kryetari, me miratim të mëtejshëm nga presidiumi i asaj gjykate. Megjithatë, deri kur u ndërmor kjo në çështjen në fjalë, mandati pesë-vjeçar në detyrë i kryetarit kishte skaduar.
153. Në atë periudhë kohore, procedura për emërimin e kryetarëve të gjykatave nuk ishte e rregulluar me të drejtën vendase: dispozitat përkatëse të nenit 20 të Ligjit për Sistemin Gjyqësor të vitit 2002 ishin deklaruar antikushtetuese dhe dispozitat e reja nuk ishin prezantuar ende në Parlament (shih paragrafët 41 dhe 49 lart). Autoritete të ndryshme vendase kishin shprehur opinionet e tyre lidhur me atë situatë ligjore. Për shembull, Këshilli i Gjyqtarëve të Ukrainës, një organ më i lartë i vetqeverisjes gjyqësore, konsideroi që çështja duhet të zgjidhej mbi bazën e nenit 41 § 5 të Ligjit për Sistemin Gjyqësor të vitit 2002 dhe që zëvendës kryetari i parë i HAC, Gjyqtari S., duhet të kryente detyrat e kryetarit të asaj gjykate (shih paragrafin 51 lart), ndërsa Prokuroria e Përgjithshme kishte mendim tjetër lidhur me atë çështje (shih paragrafin 52 lart).
154. Rrjedhimisht, një çështje kaq e rëndësishme si emërimi i kryetarëve të gjykatave u delegua në nivelin e praktikës vendase, çka doli të ishte një çështje mosmarrëveshjesh mes autoriteteve. Duket që Gjyqtari P. vazhdoi të kryente detyrat e kryetarit të HAC përtej afatit kohor statutor, duke u mbështetur në thelb tek fakti që procedurat e riemërimit nuk parashikoheshin nga ligjet e Ukrainës, ndërkohë që baza legjislative që autoriteti i tij për të vepruar si kryetar i HAC nuk ishte vendosur në masë të mjaftueshme.
155. Ndërkohë, gjatë asaj periudhe Gjyqtari P., duke vepruar si kryetar i HAC, emëroi përbërjen e dhomës e cila shqyrtoi çështjen e kërkuesit dhe bëri propozime për përbërjen individuale të asaj dhome.
156. Në këto rrethana, Gjykata nuk mund të arrijë në përfundimin që dhoma që është marrë me çështjen e kërkuesit është ngritur dhe përbërë në mënyrë legjitime dhe në përputhje me kriteret e një “tribunali të ngritur sipas ligjit”. Prandaj, ka pasur shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës në këtë aspekt.
5. Shkelje të tjera të nenit 6 § 1 të Konventës
157. Më tej, kërkuesi u ankua që: vendimet në çështjen e tij ishin marrë pa një vlerësim të duhur të provave dhe argumenteve të rëndësishme të ngritura nga mbrojtja nuk ishin vlerësuar si duhej; mungesa e kompetencave të mjaftueshme nga ana e HAC për të shqyrtuar aktet e miratuara për barazinë e armëve nuk ishte respektuar.
158. Qeveria i kontestoi ato pohime.
159. Duke pasur parasysh konsideratat e mësipërme dhe përfundimet sipas nenit 6 § 1 të Konventës, Gjykata nuk gjen që ka çështje të ndarë në aspektin e ankesave aktuale. Prandaj, është e panevojshme të shqyrtohen ato ankesa.
II. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 8 TË KONVENTËS
160. Kërkuesi u ankua që shkarkimi i tij nga posti i gjyqtarit kishte përbërë ndërhyrje në jetën e tij private dhe profesionale çka nuk ishte në përputhje me nenin 8 të Konventës.
161. Neni 8 i Konventës parashikon:
“1. Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij.”
2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.”
A. Pranueshmëria
162. Gjykata vëren që kjo ankesë nuk është dukshëm e pabazuar brenda kuptimit të nenit 35 § 3 (a) të Konventës. Nuk është e papranueshme mbi ndonjë bazë tjetër. Prandaj, ajo duhet të deklarohet e pranueshme.
B. Themelet
1. Parashtrimet e palëve
163. Kërkuesi diskutoi që ka pasur ndërhyrje tek jeta e tij private si rezultat i shkarkimit të tij nga posti i gjyqtarit të Gjykatës Supreme. Ajo ndërhyrje nuk kishte qenë e ligjshme, meqenëse bazat për përgjegjësinë e “shkeljes së betimit” ishin hartuar në mënyrë tepër të mjegullt; e drejta vendase nuk parashikonte periudha kufizimi për procedurat e largimit nga detyra dhe kështu nuk ofronte mbrojtje të përshtatshme ndaj abuzimit dhe arbitraritetit; për më tepër, nuk kishte caktuar asnjë shkallë të përshtatshme sanksionesh për përgjegjësinë disiplinore që siguronin zbatimin e tij mbi baza proporcionale. Për këto arsye, ai nuk kishte qenë në përputhje me kërkesat e “cilësisë së ligjit”. Më tej, kërkuesi konstatoi që ndërhyrja në fjalë nuk kishte qenë e nevojshme në rrethanat e çështjes.
164. Qeveria pranoi që heqja e kërkuesit nga detyra kishte përbërë ndërhyrje në të drejtën e tij për respektim të jetës së tij private brenda kuptimit të nenit 8 të Konventës. Megjithatë, masa kishte qenë e justifikuar sipas paragrafit të dytë të nenit 8 të Konventës. Në mënyrë të veçantë, shkarkimi ishte bërë mbi bazën e ligjit vendas i cili kishte qenë mjaft i parashikueshëm dhe i përdorshëm. Përveç kësaj, masa kishte qenë e nevojshme në rrethanat e çështjes.
2. Vlerësimi i Gjykatës
(a) Nëse ka pasur ndërhyrje
165. Palët ishin dakord që kishte pasur një ndërhyrje në të drejtën e kërkuesit për respektim të jetës së tij private. Gjykata nuk gjen arsye të vendosë ndryshe. Ajo vëren që jeta private “përfshin të drejtën e një individi për të krijuar dhe zhvilluar marrëdhënie me qenie të tjera njerëzore, përfshirë edhe marrëdhëniet e natyrës profesionale apo të biznesit” (shih C. kundër Belgjikës, 7 gusht 1996, § 25, Raporte 1996‑III). Neni 8 i Konventës “mbron të drejtën për zhvillim personal, dhe të drejtën për të krijuar dhe zhvilluar marrëdhënie me qenie të tjera njerëzore dhe botën përreth” (shih Pretty kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 2346/02, § 61, ECHR 2002‑III). Nocioni i “jetës private” nuk përjashton në parim aktivitetet e natyrës profesionale apo të biznesit. Në fund të fundit, shumica e njerëzve kanë mundësi të mëdha të zhvillojnë marrëdhënie me botën përreth pikërisht në ambiente pune (shih Niemietz kundër Gjermanisë, 16 dhjetor 1992, § 29, Seria A nr. 251‑B). Prandaj, kufizimet e vendosura në qasjen ndaj profesionit janë gjetur të kenë ndikim në “jetën private” (shih Sidabras dhe Džiautas kundër Lituanisë, nr. 55480/00 dhe nr. 59330/00, § 47, ECHR 2004‑VIII, dhe Bigaeva kundër Greqisë, nr. 26713/05, §§ 22-25, 28 maj 2009). Po kështu, shkarkimi nga detyra është gjetur që ndërhyn tek e drejta për respektim të jetës private (shih Özpınar kundër Turqisë, nr. 20999/04, §§ 43-48, 19 tetor 2010). Së fundi, neni 8 merret me çështjet e mbrojtjes së nderit dhe famës (reputacionit) si pjesë e së drejtës për respektimin e jetës private (shih Pfeifer kundër Austrisë, nr. 12556/03, § 35, 15 nëntor 2007, dhe A. kundër Norvegjisë, nr. 28070/06, §§ 63 dhe 64, 9 prill 2009).
166. Shkarkimi i kërkuesit nga posti i gjyqtarit ka ndikuar gjerësisht në marrëdhëniet e tij me persona të tjerë, përfshirë marrëdhëniet e natyrës profesionale. Po kështu, ka pasur ndikim në “rrethin e tij të brendshëm” meqenëse humbja e punës duhet të ketë pasur pasoja konkrete në mirëqenien materiale të kërkuesit dhe familjes së tij. Për më tepër, arsyeja për shkarkimin e kërkuesit, pra shkelja e betimit gjyqësor, sugjeron që është ndikuar edhe reputacioni i tij profesional.
167. Rrjedh që shkarkimi i kërkuesit ka përbërë ndërhyrje në të drejtën e tij për respektim të jetës private brenda kuptimit të nenit 8 të Konventës.
(b) Nëse ndërhyrja ishte e justifikuar
168. Më tej, Gjykata duhet të shqyrtojë nëse ndërhyrja përmbush kushtet në paragrafin 2 të nenit 8.
(i) Parimet e përgjithshme lidhur me ligjshmërinë e ndërhyrjes
169. Shprehja “në përputhje me ligjin” kërkon, së pari, që masa e kundërshtuar të jetë e bazuar në ligjin vendas. Së dyti, ajo i referohet cilësisë së ligjit në fjalë, dhe kërkon që ai duhet të jetë i përdorshëm nga personi i interesuar, i cili për më tepër duhet të jetë në gjendje të parashikojë pasojat që ka ai për të, dhe të jetë në pajtueshmëri me sundimin e ligjit (shih, mes autoriteteve të ndryshme, Kopp kundër Zvicrës, 25 mars 1998, § 55, Raporte 1998-II).
170. Kështu, shprehja nënkupton, inter alia, që ligji vendas duhet të jetë mjaft i parashikueshëm në mënyrë që t’u japë individëve udhëzime të përshtatshme mbi rrethanat dhe kushtet në të cilat autoritetet kanë të drejtë të marrin masa që ndikojnë tek të drejtat e tyre sipas Konventës (shih C.G. dhe të Tjerë kundër Bullgarisë, nr. 1365/07, § 39, 24 prill 2008). Për më tepër, ligji duhet të pranojë një shkallë mbrojtjeje ligjore kundër ndërhyrjeve arbitrare nga autoritetet. Ekzistenca e mbrojtjeve të posaçme procedurale është materiale në këtë kontekst. Ajo që synohet me anë të mbrojtjeve procedurale varet, të paktën deri në një masë të caktuar, nga natyra dhe shkalla e ndërhyrjes në fjalë (shih P.G. dhe J.H. kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 44787/98, § 46, ECHR 2001-IX).
(ii) Respektimi i së drejtës vendase
171. Gjykata ka gjetur (shih paragrafin 145 lart) që votimi parlamentar mbi vendimin për heqjen e kërkuesit nga detyra nuk ka qenë i ligjshëm për sa i përket të drejtës vendase. Ky përfundim në vetvete do të ishte i mjaftueshëm për Gjykatën që kjo të vendosë që ndërhyrja në të drejtën e kërkuesit për respektimin e jetës së tij private nuk ka qenë në përputhje me ligjin në kuptim të nenit 8 të Konventës.
172. Sidoqoftë, Gjykata e gjen me vend të shqyrtojë ankesën më tej dhe të konstatojë nëse janë përmbushur kërkesat lidhur me “cilësinë e ligjit”.
(iii) Respektimi i kërkesave lidhur me “cilësinë e ligjit”
173. Në parashtresën e tyre sipas këtij titulli, palët kontestuan çështjen e parashikueshmërisë së ligjit të zbatueshëm. Në këtë aspekt, Gjykata vëren që deri më 15 maj 2010 e drejta substanciale nuk përmbante ndonjë përshkrim të veprës “shkelje e betimit”. Baza për konceptimin e shkallës së asaj vepre nënkuptohej nga teksti i betimit gjyqësor, parashikuar në nenin 10 të Ligjit për Statusin e Gjyqtarëve të vitit 1992[7] ku thuhej si vijon: “Betohem solemnisht që do t’i kryej detyrat e gjyqtarit me ndershmëri dhe rigorozitet, që do t’i përmbahem ligjit në administrimin e drejtësisë, dhe që do të jem objektiv dhe i drejtë”.
174. Gjykata vëren që teksti i betimit gjyqësor ofronte diskrecion të gjerë në interpretimin e veprës së “shkeljes së betimit”. Legjislacioni i ri tani merret në mënyrë specifike me elementet e jashtme të asaj vepre (shih nenin 32 të Ligjit për HCJ të vitit 1998, i ndryshuar, në paragrafin 72 lart). Ndërkohë që legjislacioni i ri nuk ishte i zbatueshëm në rastin e kërkuesit, vlen të shënohet që saktësimi i “shkeljes së betimit” në atë nen ende parashikon që autoriteti disiplinor ka diskrecion të gjerë në lidhje me këtë çështje (shih gjithashtu pjesën e shkëputur përkatëse nga opinioni i Komisionit të Venedikut cituar në paragrafin 79 lart).
175. Megjithatë, Gjykata njeh faktin që në disa fusha mund të jetë e vështirë të formësohen ligjet me saktësi të madhe dhe që një shkallë e caktuar fleksibiliteti mund të jetë madje e dëshirueshme për t’u mundësuar gjykatave kombëtare të zhvillojnë ligjin sipas vlerësimit të tyre të masave që janë të nevojshme në rrethanat e veçanta të secilës çështje (shih Goodwin kundër Mbretërisë së Bashkuar, 27 mars 1996, § 33, Raporte 1996‑II). Fakti që teksti i statuteve nuk është gjithmonë i saktë është pasojë logjike e parimit që ligjet duhet të jenë të zbatimit të përgjithshëm. Nevoja për të shmangur ngurtësinë e tepruar dhe për të mbajtur të njëjtin ritëm me rrethanat e ndryshme do të thotë që shumë ligje hartohen në mënyrë të paevitueshme me shprehje të cilat, në masë të madhe ose të vogël, janë të mjegullta. Interpretimi dhe zbatimi i këtyre dekreteve varet nga praktika (shih Gorzelik dhe të Tjerë kundër Polonisë [GC], nr. 44158/98, § 64, ECHR 2004‑I).
176. Këto kualifikime, duke caktuar kufijtë e saktësisë së statuteve, janë posaçërisht relevante në fushën e së drejtës disiplinore. Në fakt, për sa i përket disiplinës ushtarake, Gjykata është shprehur që do të ishte pothuaj e pamundur të hartohen rregullore që përshkruajnë llojet e ndryshme të sjelljeve me hollësi. Prandaj, mund të lindë nevoja që autoritetet t’i formulojnë rregullore të tilla në mënyrë më të gjerë (shih Vereinigung demokratischer Soldaten Österreichs dhe Gubi kundër Austrisë, 19 dhjetor 1994, § 31, Seria A nr. 302).
177. Përvoja e Shteteve të tjera sugjeron që bazat për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve zakonisht konceptohen me terma të përgjithshme, ndërsa shembujt e rregulloreve të hollësishme statutore të asaj çështjeje jo domosdoshmërisht vërtetojnë përshtatshmërinë e teknikës legjislative të përdorur dhe parashikueshmërinë e asaj fushe të ligjit (shih paragrafin 82 lart).
178. Prandaj, në kontekstin e të drejtës disiplinore, duhet të ketë një qasje të arsyeshme në vlerësimin e saktësisë statusore, meqenëse është çështje domosdoshmërie objektive që actus reus i këtyre veprave duhet të shprehet me gjuhë të përgjithshme. Përndryshe, statuti mund të mos merret me çështjen në mënyrë të tërësishme dhe do të kërkojë rishikim dhe përditësim të vazhdueshëm sipas rrethanave të shumta që mund të dalin në praktikë. Rrjedhimisht, përshkrimi i një sjelljeje në statut, bazuar mbi një listë sjelljesh të veçanta por që synon zbatimin e përgjithshëm dhe të panumërt, nuk ofron garanci për adresimin e duhur të çështjes së parashikueshmërisë së ligjit. Faktorët e tjerë që ndikojnë në cilësinë e rregullimit ligjor dhe përshtatshmërinë e mbrojtjes ligjore kundër arbitraritetit duhet të identifikohen dhe të shqyrtohen.
179. Në lidhje me këtë, Gjykata vëren se ka gjetur që ekzistenca e praktikës interpretuese të veçantë dhe të vazhdueshme lidhur me dispozitën ligjore në fjalë përbën faktor që shpie drejt përfundimit që dispozita ka qenë e parashikueshme për sa u përket efekteve të saj (shih Goodwin, cituar lart, § 33). Ndërkohë që ky përfundim është nxjerrë në kontekstin e sistemit të së drejtës zakonore, roli interpretues i organeve gjyqësore në sigurimin e parashikueshmërisë së dispozitave ligjore nuk mund të nënvlerësohet në sistemet e së drejtës civile. U takon pikërisht atyre organeve që të konceptojnë kuptimin e saktë të dispozitave të përgjithshme të ligjit në mënyrë të qëndrueshme dhe të davarisin çdo lloj dyshimi në aspekt të interpretimit (shih, mutatis mutandis, Gorzelik dhe të Tjerë, cituar lart, § 65).
180. Për sa i përket çështjes në fjalë, nuk ka tregues që në kohën e përcaktimit të çështjes së kërkuesit ka pasur ndonjë udhërrëfyes apo praktikë për një interpretim të qëndrueshëm dhe kufizues të nocionit të “shkeljes së betimit”.
181. Më tej, Gjykata konsideron që nuk janë vendosur mbrojtjet e kërkuara procedurave për të parandaluar zbatimin arbitrar të së drejtës substanciale përkatëse. Në mënyrë të veçantë, e drejta vendase nuk përcaktonte kufij kohorë për fillimin dhe zhvillimin e procedurave kundër një gjyqtari për “shkelje të betimit”. Mungesa e periudhave kufizuese, siç u diskutua më lart sipas nenit 6 të Konventës, e linte diskrecionin e autoriteteve disiplinore të hapur dhe minonte parimin e sigurisë ligjore.
182. Për më tepër, e drejta vendase nuk caktonte një shkallë të përshtatshme sanksionesh për vepra disiplinore dhe nuk zhvillonte rregulla që siguronin zbatimin e tyre në përputhje me parimin e proporcionalitetit. Në kohën kur u vendos çështja e kërkuesit, ekzistonin vetëm tre sanksione për keqbërje disiplinore: qortimi, ulja e klasit të kualifikimit, dhe largimi nga detyra. Këto tre lloje sanksionesh linin pak hapësirë për disiplinimin e një gjyqtari mbi baza proporcionale. Kështu, autoriteteve u jepeshin mundësi të kufizuara për të ekuilibruar interesat konkurruese publike dhe individuale në rrethanat e secilës çështje individuale.
183. Vlen të përmendet që parimi i zbatimit proporcional të sanksioneve disiplinore tek gjyqtarët citohet drejtpërdrejt në paragrafin 5.1 të Kartës Evropiane mbi statutin e gjyqtarëve (shih paragrafin 78 lart), dhe që disa Shtete të caktuara kanë ngritur një hierarki më të detajuar sanksionesh për të përmbushur këtë parim (shih paragrafin 82 lart).
184. Së fundi, kundërpesha më e rëndësishme kundër diskrecionit të pashmangshëm të një organi disiplinor në këtë fushë do të ishte mundësia e një shqyrtimi të pavarur dhe të paanshëm. Megjithatë, e drejta vendase nuk parashtronte një kornizë të përshtatshme për një shqyrtim të tillë dhe, siç u diskutua më parë, nuk u vërtetua që kërkuesi e kishte një mundësi të tillë.
185. Rrjedhimisht, mungesa e pikave udhërrëfyese dhe praktikës së një interpretimi të qëndrueshëm dhe kufizues të veprës së “shkeljes së betimit” dhe mungesa e mbrojtjeve të duhura ligjore rezultoi në paparashikueshmërinë e dispozitave përkatëse të së drejtës vendase për sa u përket efekteve të tyre. Në këto kushte, mund të presupozohet pa frikë se pothuaj çdo sjellje e pahijshme e gjyqtarëve në çfarëdo kohe gjatë karrierës së tyre mund të interpretohej, nëse dëshironte një organ disiplinor, si bazë e mjaftueshme faktike për një akuzë disiplinore të “shkeljes së betimit” dhe të shpinte në largimin e gjyqtarit apo gjyqtares nga detyra.
(iv) Përfundim
186. Duke pasur parasysh konsideratat e mësipërme, Gjykata arrin në përfundimin që ndërhyrja në të drejtën e kërkuesit për respekt ndaj jetës së tij private nuk ka qenë e ligjshme: ndërhyrja nuk ka qenë në përputhje me të drejtën vendase dhe, për më tepër, e drejta vendase e zbatueshme nuk ka arritur të përmbushte kushtin e parashikueshmërisë dhe ofrimin e mbrojtjes së duhur kundër arbitraritetit.
187. Prandaj, ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës.
III. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 13 TË KONVENTËS
188. Më tej kërkuesi u ankua që ai nuk kishte pasur zgjidhje efektive në dispozicion për sa i përket shkarkimit të tij të paligjshëm. Ai u mbështet në nenin 13 të Konventës, i cili parashikon si më poshtë:
“Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.”
189. Pas shqyrtimit të parashtrimeve të palëve sipas këtij titulli, Gjykata konsideron që ankesa është e pranueshme. Megjithatë, duke pasur parasysh gjetjet e Gjykatës sipas nenit 6 të Konventës, ankesa në fjalë nuk ngre ndonjë çështje të ndarë (shih Brualla Gómez de la Torre kundër Spanjës, 19 dhjetor 1997, § 41, Raporte 1997-VIII).
190. Rrjedhimisht, Gjykata vendos që nuk është e nevojshme të shqyrtohet ankesa sipas nenit 13 të Konventës në mënyrë të ndarë.
IV. ZBATIMI I NENEVE 41 DHE 46 TË KONVENTËS
191. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
192. Neni 46 i Konventës parashikon:
“1. Palët e Larta Kontraktuese marrin përsipër të respektojnë vendimin e formës së prerë të Gjykatës në çdo çështje ku ato janë palë.”
2. Vendimi i formës së prerë i Gjykatës i përcillet Komitetit të Ministrave, i cili mbikqyr ekzekutimin e tij. ...”
A. Treguesit e masave të përgjithshme dhe individuale
1. Parime të përgjithshme
193. Në kontekstin e ekzekutimit të vendimeve në përputhje me nenin 46 të Konventës, një vendim në të cilin Gjykata gjen shkelje të Konventës i imponon Shtetit përgjegjës një detyrim ligjor për sipas asaj dispozite për t’i dhënë fund shkeljes dhe për të gjetur zgjidhje për pasojat në mënyrë të atillë që të rikthejë sa më shumë që të jetë e mundur situatën që ishte para shkeljes. Nëse, nga ana tjetër, e drejta kombëtare nuk lejon – ose lejon vetëm në mënyrë të pjesshme – dëmshpërblim për pasojat e shkeljes, neni 41 i jep pushtet Gjykatës për t’i dhënë palës së dëmtuar një shpërblim të tillë që asaj i duket i përshtatshëm. Rrjedh, inter alia, që një vendim në të cilin Gjykata gjen një shkelje të Konventës ose Protokolleve të saj imponon mbi Shtetin përgjegjës një detyrim ligjor jo vetëm për t’u paguar palëve të përfshira shumat e caktuara përmes shpërblimit të drejtë, por edhe për të zgjedhur, nën mbikqyrjen e Këshillit të Ministrave, masat e përgjithshme dhe/ose, nëse është e udhës, masat individuale që duhen marrë në kuadër të rendit të tij të brendshëm për t’i dhënë fund shkeljes së gjetur nga Gjykata dhe për të bërë korrigjimet e duhura për pasojat e saj në mënyrë të atillë që të rikthehet sa më shumë që të jetë e mundur situata ekzistuese para shkeljes (shih Maestri kundër Italisë [GC], nr. 39748/98, § 47, ECHR 2004‑I; Assanidze kundër Gjeorgjisë [GC], nr. 71503/01, § 198, ECHR 2004‑II; dhe Ilaşcu dhe të Tjerë kundër Moldavisë dhe Rusisë [GC], nr. 48787/99, § 487, ECHR 2004-VII).
194. Gjykata përsërit që vendimet e saj në thelb janë të natyrës deklarative dhe që, në përgjithësi, u takon kryesisht Shteteve në fjalë që të zgjedhin, nën mbikqyrjen e Këshillit të Ministrave, mjetet që do të përdoren në kuadër të rendit të tyre të brendshëm për të administruar detyrimin e tyre sipas nenit 46 të Konventës, nëse këto mjete janë në përputhje me përfundimet e nxjerra në vendimin e Gjykatës (shih, mes autoriteteve të tjera, Öcalan kundër Turqisë [GC], nr. 46221/99, § 210, ECHR 2005-IV; Scozzari dhe Giunta kundër Italisë [GC], nr. 39221/98 dhe nr. 41963/98, § 249, ECHR 2000-VIII; dhe Brumărescu kundër Rumanisë (shpërblimi i drejtë) [GC], nr. 28342/95, § 20, ECHR 2001-I). Ky diskrecion për sa i përket mënyrës së ekzekutimit të një vendimi pasqyron lirinë e zgjedhjes që shkon bashkë me detyrimin parësor të Shteteve Kontraktuese për të siguruar të drejtat dhe liritë e garantuara me Konventë (neni 1) (shih Papamichalopoulos dhe të Tjerë kundër Greqisë (neni 50), 31 tetor 1995, § 34, Seria A nr. 330‑B).
195. Megjithatë, përjashtimisht, me qëllim që të ndihmohet Shteti përgjegjës për të përmbushur detyrimet e tij sipas nenit 46, Gjykata do të kërkojë që të tregohet lloji i masës që mund të merret në mënyrë që t’i jepet fund shkeljes që ajo ka gjetur se ekziston. Në këto kushte, ajo mund të propozojë disa variante dhe ta lërë zgjedhjen e masës dhe zbatimin e saj në diskrecionin e Shtetit në fjalë (shih, për shembull, Broniowski kundër Polonisë [GC], nr. 31443/96, § 194, ECHR 2004-V). Në disa raste, natyra e shkeljes së gjetur mund të jetë e tillë që nuk lë zgjidhje tjetër për sa u përket masave të kërkuara për ta zgjidhur dhe Gjykata mund të vendosë të tregojë një masë të caktuar (shih, për shembull, Assanidze, cituar lart, §§ 202 dhe 203; Aleksanyan kundër Rusisë, nr. 46468/06, § 240, 22 dhjetor 2008; dhe Fatullayev kundër Azerbajxhanit, nr. 40984/07, §§ 176 dhe 177, 22 prill 2010).
2. Për sa i përket çështjes në fjalë
(a) Masa të përgjithshme
(i) Parashtrimet e palëve
196. Kërkuesi parashtroi që çështja e tij ka hasur probleme themelore sistematike në sistemin ligjor ukrainas për shkak të dështimit të Shtetit për të respektuar parimin e ndarjes së pushteteve; këto probleme sistematike kërkonin zbatimin e nenit 46 të Konventës. Ai argumentoi që problemet e paraqitura në çështjen në fjalë flisnin për nevojshmërinë e ndryshimit të fushës përkatëse të legjislacionit. Në mënyrë të veçantë, ndryshime duheshin bërë në Kushtetutë dhe në Ligjin për HCJ të vitit 1998 lidhur me parimet e përbërjes së HCJ dhe procedurat për emërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve, dhe në Kodin e Drejtësisë Administrative lidhur me juridiksionin dhe pushtetet e HAC.
197. Qeveria nuk ishte dakord dhe parashtroi që e drejta e zbatueshme vendase kishte ndryshuar në mënyrë domethënëse që nga koha kur çështja e kërkuesit ishte vendosur nga autoritetet vendase. Në mënyrë të veçantë, ndryshimet e 7 korrikut 2010 në Ligjin për HCJ të vitit 1998 parashikonin që numri i gjyqtarëve pjesëmarrës në HCJ do të rritej dhe eventualisht do të përbënte shumicën e atij organi (shih paragrafin 68 lart). Në qershor 2012 Akti i HCJ i vitit 1998 ishte ndryshuar më tej dhe parashikonte që hetimet paraprake të zhvilluara nga prokuroria nuk duhet të kryheshin nga një anëtar i HCJ i cili kishte qenë ose vazhdonte të ishte prokuror.
198. Qeveria më tej u shpreh që roli i Parlamentit në procedurën e shkarkimit të një gjyqtari ishte zvogëluar, meqenëse nuk ekzistonte më kushti që çështja të shqyrtohej nga një komision parlamentar apo që të zhvillohej ndonjë formë tjetër hetimesh parlamentare.
(ii) Vlerësimi i Gjykatës
199. Gjykata vëren që çështja në fjalë zbulon probleme serioze sistematike për sa i përket funksionimit të gjyqësorit ukrainas. Në mënyrë të veçantë, shkeljet e gjetura në këtë rast sugjerojnë që sistemi i disiplinës gjyqësore në Ukrainë nuk është organizuar në mënyrën e duhur, sepse ai nuk siguron ndarje të mjaftueshme të pushteteve nga degë të tjera të pushtetit të Shtetit. Për më tepër, ai nuk ofron garancitë e duhura për mbrojtje nga abuzimi dhe keqpërdorimi i masave disiplinore në dëm të pavarësisë gjyqësore, e cila është një nga vlerat më të rëndësishme të demokracive funksionale efikase.
200. Gjykata konsideron që natyra e shkeljeve të gjetura sugjeron që për ekzekutimin e duhur të vendimit aktual Shteti përgjegjës do të duhej të merrte një sërë masash të përgjithshme me qëllim të reformimit të sistemit të disiplinës gjyqësore. Këto masa duhet të përfshijnë reformën legjislative që ka të bëjë me ristrukturimin e bazës institucionale të sistemit. Më tej, këto masa duhet të përfshijnë zhvillimin e formave dhe parimeve të përshtatshme të zbatimit koherent të së drejtës vendase në këtë fushë.
201. Për sa u përket kontestimeve të Qeverisë që ajo tashmë kishte ngritur mbrojtje të sigurta në këtë fushë, Gjykata vëren që ndryshimet legjislative të 7 korrikut 2010 nuk kanë pasur efekt të menjëhershëm dhe që ripërbërja e HCJ do të duhej të ndodhte gradualisht në të ardhmen. Sidoqoftë, Gjykata ka theksuar që këto ndryshime në fakt nuk e zgjidhin problemin e përbërjes së HCJ (shih paragrafin 112 lart). Për sa u përket ndryshimeve të tjera legjislative të cekura nga Qeveria, Gjykata nuk konsideron që ato i adresohen në mënyrë substanciale tërë gamës së problemeve që ajo ka identifikuar në kontekst të kësaj çështjeje. Ka shumë çështje, siç u diskutua në pjesën e arsyetimit të këtij vendimi, që tregojnë defekte në legjislacionin dhe praktikën vendase në këtë fushë. Përfundimisht, hapat legjislativë të përmendur nga Qeveria nuk e zgjidhin problemin e mos-funksionalitetit sistematik të sistemit ligjor të zbuluar nga çështja në fjalë.
202. Prandaj, Gjykata e konsideron të nevojshme të theksojë që Ukraina duhet të ngrejë urgjentisht reforma të përgjithshme në sistemin e saj ligjor siç përmendet më lart. Duke vepruar kështu, autoritetet ukrainase duhet të kenë parasysh këtë vendim, praktikën gjyqësore përkatëse të Gjykatës dhe rekomandimet, rezolutat dhe vendimet respektive të Këshillit të Ministrave.
(b) Masat individuale
(i) Parashtrimet e palëve
203. Kërkuesi argumentoi që forma më e përshtatshme e zgjidhjes individuale do të ishte rikthimi i tij në vendin e punës. Përndryshe, ai kërkoi që Gjykata ta detyrojë Shtetin përgjegjës që të hapë sërish procedurat në vend.
204. Qeveria parashtroi që nuk kishte nevojë për ndonjë urdhër të veçantë lidhur me zgjidhjen individuale, sepse këto çështje do të administroheshin si duhej nga Qeveria në bashkëpunim me Këshillin e Ministrave.
(ii) Vlerësimi i Gjykatës
205. Gjykata ka konstatuar që kërkuesi është shkarkuar në shkelje të parimeve themelore të drejtësisë procedurale të mishëruar në nenin 6 të Konventës, siç është parimi i një tribunali të pavarur dhe të paanshëm, siguria ligjore dhe e drejta për t’u dëgjuar nga një tribunal i ngritur sipas ligjit. Shkarkimi i kërkuesit po ashtu është gjetur të ishte në mospërputhje me kriteret e ligjshmërisë sipas nenit 8 të Konventës. Shkarkimi i kërkuesit, një gjyqtar i Gjykatës Supreme, në shpërfillje të qartë të parimeve të mësipërme të Konventës, mund të shihej si kërcënim për pavarësinë e gjyqësorit në tërësi.
206. Prandaj, këtu ngrihet çështja se cilat masa do të ishin më të përshtatshme për t’i dhënë fund shkeljeve të gjetura në rastin konkret. Në shumë raste ku procedurat vendase janë gjetur të ishin në shkelje të Konventës, Gjykata ka vendosur që forma më e përshtatshme e zgjidhjes së shkeljeve të gjetura mund të ishte rihapja e procedurave në vend (shih, për shembull, Huseyn dhe të Tjerë kundër Azerbajxhanit, nr. 35485/05, nr. 45553/05, nr. 35680/05 dhe nr. 36085/05, § 262, 26 korrik 2011, me referenca të mëtejshme). Duke vepruar kështu, Gjykata e ka saktësuar këtë masë në pjesën operative të vendimit (shih, për shembull, Lungoci kundër Rumanisë, nr. 62710/00, 26 janar 2006, dhe Ajdarić kundër Kroacisë, nr. 20883/09, 13 dhjetor 2011).
207. Duke pasur parasysh përfundimet e mësipërme për sa i përket nevojshmërisë së futjes së masave të përgjithshme për reformimin e sistemit të disiplinës gjyqësore, Gjykata nuk konsideron që rihapja e procedurave në vend do të përbënte një formë të përshtatshme të zgjidhjes për shkeljet e të drejtave të kërkuesit. Nuk ka baza për të presupozuar që çështja e kërkuesit do të rigjykohej në përputhje me parimet e Konventës në të ardhmen e afërt. Në këto rrethana, Gjykata nuk e sheh të arsyeshme të rekomandojë një masë të tillë.
208. Kështu, Gjykata nuk mund të pranojë që kërkuesi të lihet në gjendje pasigurie për sa i përket mënyrës se si do t’i rikthehen të drejtat e tij. Gjykata konsideron që, nga natyra e saj, situata që është gjetur se ekziston në rastin konkret nuk lë ndonjë zgjedhje tjetër për sa u përket masave individuale që kërkohen për të zgjidhur shkeljet e të drejtave të kërkuesit sipas Konventës. Duke pasur parasysh vetë rrethanat e jashtëzakonshme të çështjes dhe nevojën urgjente për t’u dhënë fund shkeljeve të neneve 6 dhe 8 të Konventës, Gjykata vendos që Shteti përgjegjës do të sigurojë rikthimin e kërkuesit në postin e gjyqtarit të Gjykatës Supreme në një datë sa më të hershme që të jetë e mundur.
B. Dëmshpërblim
1. Dëmet materiale
209. Kërkuesi pretendoi që, si pasojë e procedurave të padrejta kundër tij të cilat rezultuan në shkarkimin e tij nga posti i gjyqtarit të Gjykatës Supreme, atij i ishte mohuar e drejta e rrogës së gjyqtarit të Gjykatës Supreme, mëditja dhe pensioni gjyqësor. Kërkuesi paraqiti një llogaritje të hollësishme të pretendimit të tij për dëme materiale, e cila shkonte në shumën 11.720.639,86 hryvnia ukrainase (UAH) apo 1.107.255,87 euro (EUR).
210. Qeveria e kontestoi këtë pretendim dhe parashtroi që ai ishte spekulativ, i tepruar dhe i pabazë.
211. Në rrethanat e çështjes në fjalë, Gjykata konsideron që çështja e kompensimit të dëmit material nuk është gati për vendim. Rrjedhimisht, ajo çështje duhet të rezervohet dhe procedura e mëtejshme duhet të rregullohet, duke pasur parasysh çdo marrëveshje që mund të jetë arritur mes Qeverisë dhe kërkuesit (neni 75 §§ 1 dhe 4 i Rregullores së Gjykatës).
2. Dëmi jomaterial
212. Kërkuesi pretendoi që, si pasojë e shkarkimit të tij të padrejtë, ai kishte pasur shqetësim dhe stres të konsiderueshëm i cili nuk mund të shpërblehej mjaftueshëm vetëm me gjetjen e shkeljeve. Ai kërkoi kompensim për shpërblim të drejtë në shumën 20.000 euro.
213. Qeveria e kontestoi këtë pretendim për dëme jomateriale si të pabazuar.
214. Gjykata konsideron që kërkuesi duhet të ketë kaluar shqetësim dhe ankth për shkak të shkeljeve të gjetura. Duke vendosur mbi baza barabarësie, në përputhje me nenin 41 të Konventës, ajo i akordon kërkuesit 6.000 euro për dëme jomateriale.
C. Kostot dhe shpenzimet
215. Kërkuesi gjithashtu pretendoi 14.945,81 paund (GBP) për kostot dhe shpenzimet para Gjykatës mes datave 23 mars dhe 20 prill 2012. Pretendimi i referohej tarifave ligjore për përfaqësuesit e kërkuesit në Londër (Z. Philip Leach dhe Znj. Jane Gordon), të cilët kishin shpenzuar 82 orë e 40 minuta duke punuar në çështjen e tij gjatë asaj periudhe; një tarifë për zyrtarin e EHRAC; shpenzime administrative; dhe shpenzimet e përkthimit.
216. Në parashtrimet e tij të mëtejshme lidhur me këtë temë, kërkuesit pretendoi 11.154,95 GBP për kostot dhe shpenzimet e hasura në seancën dëgjimore të 12 qershorit 2012. Pretendimi përfshinte tarifat ligjore të përfaqësuesve të kërkuesit, të cilët kishin shpenzuar 69 orë e 30 minuta duke punuar në çështjen e tij; një tarifë për zyrtarin e EHRAC; disbursimet administrative; dhe shpenzimet e përkthimit.
217. Kërkuesi pretendoi që çdo shpërblim nën këtë titull të paguhej drejtpërdrejtë në llogarinë bankare të EHRAC.
218. Qeveria argumentoi që kërkuesi nuk e kishte vërtetuar që kostot dhe shpenzimet ishin krijuar me doemos. Për më tepër, ato nuk ishin vërtetuar sa duhej.
219. Sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës, një kërkuesi i takon kompensimi i kostove dhe shpenzimeve vetëm për sa kohë që tregohet se këto shpenzime janë bërë faktikisht dhe domosdoshmërisht dhe që janë të arsyeshme në tërësi. Në rastin konkret, duke pasur parasysh dokumentet që ka pasur në dispozicion dhe kriteret e mësipërme, Gjykata e konsideron të arsyeshme të akordojë shumën 12.000 euro e cila mbulon kostot sipas të gjithë titujve.
D. Interesi i munguar
220. Gjykata e konsideron të udhës që përqindja e interesit të munguar të bazohet mbi kursin margjinal huadhënës të Bankës Qendrore Evropiane, së cilës duhet t’i shtohen tri pikë përqindjeje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, NJËZËRI
1. E shpall pjesën tjetër të kërkesës të pranueshme;
2. Vendos që ka pasur shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës për sa i përket parimit të tribunalit të pavarur dhe të paanshëm;
3. Vendos që ka pasur shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës për sa i përket parimit të sigurisë ligjore dhe mungesës së periudhës së kufizimit për procedurat kundër kërkuesit;
4. Vendos që ka pasur shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës për sa i përket parimit të sigurisë ligjore dhe shkarkimit të kërkuesit në mbledhjen plenare të Parlamentit;
5. Vendos që ka pasur shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës për sa i përket parimit të një “tribunali të ngritur sipas ligjit:’
6. Vendos që nuk ka nevojë të shqyrtohen ankesat e tjera sipas nenit 6 § 1 të Konventës;
7. Vendos që ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës.
8. Vendos që nuk është e nevojshme të shqyrtohet ankesa sipas nenit 13 të Konventës;
9. Vendos që Ukraina do të sigurojë rikthimin e kërkuesit të postin e gjyqtarit të Gjykatës Supreme sa më parë që të jetë e mundur.
10. Vendos që, për sa i përket dëmit të shkaktuar nga shkeljet e gjetura, çështja e shpërblimit të drejtë nuk është gati për vendim e rrjedhimisht,
(a) e rezervon këtë çështje;
(b) fton Qeverinë dhe kërkuesin që të paraqesin, brenda tre muajsh nga data e njoftimit të këtij vendimi, vërejtjet e tyre me shkrim në lidhje me këtë çështje dhe, në mënyrë të veçantë, ta njoftojë Gjykatën mbi çdo marrëveshje që mund të arrihet mes tyre;
(c) rezervon procedurën e mëtejshme dhe i delegon Kryetarit të Dhomës pushtetin për ta rregulluar atë nëse është e nevojshme;
11. Vendos
(a) që Shteti përgjegjës t’i paguajë kërkuesit, brenda tre muajsh nga data kur vendimi merr formë të prerë në përputhje me nenin 44 § 2 të Konventës, shumat e mëposhtme:
(i) 6.000 euro (gjashtë mijë euro), plus taksat e ngarkueshme, të konvertuara në valutën ukrainase hryvnia, me kursin e datës së vendimit, në lidhje me dëmet jomateriale;
(ii) 12.000 euro (dymbëdhjetë mijë euro), plus taksat e ngarkueshme për kërkuesin, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, që do të paguhen në llogarinë bankare të përfaqësuesve të kërkuesit;
(b) që nga përfundimi i tre muajve të lartpërmendur deri në pagesë do të paguhet interes i thjeshtë mbi shumën e mësipërme në përqindjen e shkallës margjinale të kreditimit të Bankës Qendrore Evropiane plus tri pikë përqindjeje;
12. Rrëzon pjesën tjetër të pretendimit të kërkuesit për shpërblim të drejtë në lidhje me dëmet jomateriale si dhe për kostot dhe shpenzimet.
E bërë në anglisht, dhe e shpallur në seancë publike më 9 janar 2013 në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, në pajtim me nenin 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Claudia WesterdiekDean Spielmann
KancelareKryetar
Në përputhje me nenin 45 § 2 të Konventës dhe nenin 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, opinioni i ndarë i Gjyqtarit Yudkivska i bashkangjitet këtij vendimi.
D.S.
C.W.
Opinionet e veçanta nuk janë përkthyer, por ato janë pjesë e versionit(eve) zyrtar(e) në gjuhën angleze dhe/ose franceze të vendimit i cili gjendet në bazën e të dhënave të Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, ta base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
[1] Korrigjuar më 9 prill 2013: është shtuar teksti në vijim: “(Комітет Верховної Ради України з питань правосуддя)”.
[2] Korrigjuar më 9 prill 2013: teksti i mëparshëm ishte “20 maj 2010”.
[3] Korrigjuar më 9 prill 2013: teksti i mëparshëm ishte “e njëjta datë”.
[4] Korrigjuar më 9 prill 2013: u shtua teksti në vijim: “Sipas dosjes ashtu siç ka qenë ajo në datën e konsultimeve të Gjykatës”.
[5]5. Seibert-Fohr, Anja (ed.), Judicial Independence in Transition, 2012, XIII, 1378 p.
[6] Korrigjuar më 9 prill 2013: teksti i mëparshëm ishte “refuzimi i tij”.
[7] Korrigjuar më 9 prill 2013: teksti i mëparshëm ka qenë “Ligji për Sistemin Gjyqësor i vitit 2002”.
Full & Egal Universal Law Academy