© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
Nota Informative e praktikës gjyqësore nr. 150 të Gjykatës
janar 2013
Oleksandr Volkov kundër Ukrainës - 21722/11
Vendimi 9.1.2013 [Seksioni V]
Neni 6
Procedurat civile
Neni 6-1
Tribunali i paanshëm
Tribunali i pavarur
Defektet strukturore të sistemit të disiplinës gjyqësore: shkelje.
Seanca e drejtë
Mungesa e periudhës së kufizimit për caktimin e dënimit disiplinor mbi gjyqtarët dhe abuzimi i sistemit të votimit elektronik në Parlament gjatë miratimit të vendimit për shkarkimin e gjyqtarit: shkelje.
Tribunali i ngritur sipas ligjit
Përbërja e dhomës që shqyrton çështjen e kërkuesit e caktuar nga një gjyqtar mandati i të cilit si kryetar i gjykatës ka skaduar: shkelje.
Neni 8
Neni 8-1
Respekti për jetën private
Largimi i një gjyqtari për “shkelje të betimit” në mungesë të një interpretimi të qëndrueshëm të asaj vepre dhe të mbrojtjeve procedurale të kërkuara: shkelje.
Neni 46
Neni 46-2
Ekzekutimi i vendimit
Masa të natyrës së përgjithshme
Shtetit Përgjegjës i kërkohet të reformojë sistemin e disiplinës gjyqësore.
Ekzekutimi i vendimit
Masat individuale
Shtetit Përgjegjës i kërkohet të sigurojë rikthimin e kërkuesit në postin e gjyqtarit të Gjykatës Supreme sa më shpejt që të jetë e mundur.
Faktet – Nga viti 2003 kërkuesi ka qenë gjyqtar i Gjykatës Supreme të Ukrainës dhe nga viti 2007 Kryetar i Dhomës Ushtarake të asaj gjykate. Në vitin 2007 ai u zgjodh në postin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (angl. “HJC”), por nuk e mori mandatin pas refuzimit të Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Gjyqësorit (“Komisioni Parlamentar”) për t’i lejuar atij të bënte betimin. Në vitet 2008 dhe 2009 dy anëtarë të HJC – njëri prej të cilëve u zgjodh kryetar i HJC më vonë – zhvilluan hetime paraprake rreth sjelljes së pahijshme të mundshme të kërkuesit. Ata arritën në përfundimin që ai kishte shqyrtuar vendime të marra nga vëllai i gruas së tij – disa prej të cilave datonin në vitin 2003 – dhe që ai kishte qenë fajtor për shkelje të rënda procedurale, ku disa prej veprimeve të tij datonin në vitin 2006. Pas këtyre hetimeve, Kryetari i HJC paraqiti dy kërkesa në Parlament për shkarkimin e kërkuesit nga posti i gjyqtarit. Në vitin 2010 Parlamenti, pasi kishte shqyrtuar këto kërkesa nga HJC, një rekomandim nga Komisioni Parlamentar, votoi për shkarkimin e kërkuesit për “shkelje të betimit”. Sipas kërkuesit, gjatë votimit elektronik shumica e anëtarëve të Parlamentit mungonin dhe ata që ishin të pranishëm përdorën kartat e votimit që u përkisnin kolegëve të tyre që mungonin. Kërkuesi e kontestoi shkarkimin e tij para Gjykatës më të Lartë Administrative, e cila gjeti që kërkesa e HJC për shkarkimin e tij pas hetimeve të kryetarit të HJC kishte qenë e ligjshme dhe e vërtetuar. Gjykata më e Lartë Administrative më tej gjeti që vendimi i HJC mbi bazën e rezultateve të hetimeve të tjera kishte qenë i paligjshëm, sepse kërkuesi dhe vëllai i gruas së tij nuk ishin konsideruar të afërm sipas legjislacionit në fuqi në atë kohë. Megjithatë, ajo refuzoi t’i prishte veprimet e HJC në atë rast, duke shënuar që sipas dispozitave të zbatueshme ajo nuk kishte pushtetin për ta bërë këtë. Gjykata më e Lartë Administrative më tej shënoi që nuk kishte pasur shkelje procedurale as para komisionit parlamentar e as në Parlament.
E drejta – Neni 6 § 1
(a) Zbatueshmëria – Gjatë çështjes së kërkuesit dhe gjatë marrjes së vendimit detyrues, HJC, komisioni parlamentar, dhe mbledhja plenare e Parlamentit kishin kryer një funksion gjyqësor të kombinuar. Vendimi detyrues për shkarkimin e kërkuesit më tej ishte shqyrtuar nga Gjykata më e Lartë Administrative, e cila ishte një gjykatë klasike në kuadër të gjyqësorit vendas. Prandaj, nuk mund të arrihej në përfundimin që e drejta kombëtare “shprehimisht përjashtonte qasjen në gjykatë” për pretendimin e kërkuesit. Kështu, neni 6 zbatohej sipas titullit të tij civil.
Dënimi i caktuar për kërkuesin ishte një masë klasike disiplinore për sjellje të pahijshme profesionale dhe, për sa i përket së drejtës vendase, ishte në kontrast me dënimet e së drejtës penale për marrjen e një vendimi të gabuar me qëllim nga një gjyqtar. Po ashtu, ishte relevant fakti që shkarkimi i kërkuesit nga posti i gjyqtarit nuk e kishte ndaluar atë më parë nga praktikimi i ligjit në një cilësi tjetër brenda profesionit ligjor. Prandaj, neni 6 nuk ishte i zbatueshëm sipas titullit të tij penal.
(b) Pavarësia dhe paanshmëria e organeve që vendosën çështjen e kërkuesit
(i) HCJ: Për sa i përket procedurave disiplinore kundër gjyqtarëve, nevojshmëria e pjesëmarrjes së konsiderueshme të gjyqtarëve në organin disiplinor përkatës ishte njohur në Kartën Europiane mbi Statutin për Gjyqtarët. Megjithatë, HJC përbëhej nga njëzet anëtarë të cilët ishin emëruar nga organe të ndryshme. Tre anëtarë ishin emëruar drejtpërdrejt nga Presidenti i Ukrainës, tre nga Parlamenti i Ukrainës, dhe dy nga Konferenca Mbarë-Ukrainase e Prokurorëve. Ministri i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm ishin anëtarë ex officio të HJC. Stafi jo-gjyqësor i emëruar drejtpërdrejt nga autoritetet ekzekutive dhe legjislative përbënte shumicën dërrmuese të anëtarëve të HJC. Për pasojë, çështja e kërkuesit ishte vendosur nga gjashtëmbëdhjetë anëtarë të HJC të cilët kishin marrë pjesë në seancë, prej të cilëve vetëm tre ishin gjyqtarë. Për më tepër, vetëm katër anëtarë të HJC punonin aty me orar të plotë. Anëtarët e tjerë vazhdonin të punonin dhe të merrnin rroga jashtë HJC, çka në mënyrë të pashmangshme përfshinte varësinë e tyre materiale, hierarkike dhe administrative ndaj punëdhënësve të tyre kryesorë dhe rrezikonte si pavarësinë ashtu edhe paanshmërinë e tyre. Gjykata iu referua gjithashtu opinionit të Komisionit të Venedikut (Venice Commission) që prania e Prokurorit të Përgjithshëm në një organ që merrej me emërimin, disiplinimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve krijonte rrezikun që gjyqtarët nuk do të vepronin në mënyrë të paanshme në raste të tilla ose që Prokurori i Përgjithshëm nuk do të vepronte në mënyrë të paanshme karshi gjyqtarëve me vendimet e të cilëve ai nuk kishte qenë dakord. Më tej, anëtarët e HJC të cilët kishin zhvilluar hetimet paraprake në çështjen e kërkuesit dhe kishin parashtruar kërkesat për shkarkimin e tij kishin marrë pjesë më pas në vendimet për ta larguar kërkuesin nga posti. Njëri prej atyre anëtarëve ishte emëruar Kryetar i HJC dhe kishte kryesuar seancën e çështjes së kërkuesit. Roli i atyre anëtarëve në ngritjen e akuzave disiplinore kundër kërkuesit, të bazuara mbi rezultatet e hetimeve paraprake të zhvilluara nga ata vetë, hidhte dyshime objektive mbi paanshmërinë e tyre në marrjen e vendimit për themelet e çështjes së kërkuesit. Rrjedhimisht, faktet e kërkesës në fjalë zbuluan disa çështje serioze në lidhje me mangësitë procedurale në procedurat para HJC dhe me atë që dukej të ishte njëanshmëri personale nga ana e disa anëtarëve të caktuar të HJC që kishin vendosur çështjen e kërkuesit. Kështu, procedurat para HJC nuk kishin qenë në përputhje me parimet e pavarësisë dhe paanshmërisë që kërkohen nga neni 6 § 1.
(ii) Komisioni Parlamentar: Kryetari i komisionit dhe njëri prej anëtarëve të tij ishin gjithashtu anëtarë të HJC dhe kishin marrë pjesë në vendosjen e çështjes së kërkuesit në të dy nivelet. Rrjedhimisht, ata mund të mos kenë vepruar në mënyrë të paanshme gjatë shqyrtimit të parashtresave të HJC. Përveç kësaj, konsideratat e Gjykatës në lidhje me mungesën e paanshmërisë personale ishin po aq relevante për këtë fazë të procedurës. Më tej, duhet të merret parasysh mirë fakti që kryetari, së bashku me dy anëtarë të Komisionit Parlamentar, kishin bërë kërkesë në HJC për nisjen e hetimeve paraprake për sjelljen e pahijshme të mundur të kërkuesit. Njëkohësisht, anëtarët e HJC nuk kishin mundur të tërhiqeshin meqenëse legjislacioni përkatës nuk parashikonte asnjë procedurë tërheqjeje. Kjo tregonte mungesën e garancive të duhura për pajtueshmërinë e procedurave me testin e paanshmërisë objektive.
(iii) Mbledhja plenare e Parlamentit: Në atë fazë, përcaktimi i çështjes ishte kufizuar me miratimin e një vendimi detyrues të bazuar mbi gjetjet e mëparshme të HJC dhe Komisionit Parlamentar. Në tërësi, procedura në mbledhjen plenare nuk ishte forum i përshtatshëm për shqyrtimin e çështjeve të faktit dhe ligjit, për vlerësimin e provave dhe përcaktimin e kualifikimit ligjor të fakteve. Roli i politikanëve të pranishëm në Parlament, të cilëve nuk u kërkohej të kishin përvojë ligjore dhe gjyqësore, nuk ishte sqaruar mjaftueshëm nga Qeveria dhe nuk ishte arsyetuar si i atillë që ishte në përputhje me kriteret e pavarësisë dhe paanshmërisë së një tribunali.
(iv) Gjykata më e Lartë Administrative: Gjykata më e Lartë Administrative kishte fuqinë t’i deklaronte vendimet e HJC dhe Parlamentit të paligjshme pa pasur mundësinë t’i prishte ato dhe të merrte hapa të mëtejshëm. Nuk kishte rivendosje automatike në postin e një gjyqtari ekskluzivisht mbi bazën e vendimit deklarativ të Gjykatës më të Lartë Administrative. Për më tepër, argumente të rëndësishme të paraqitura nga kërkuesi nuk ishin diskutuar si duhej nga Gjykata më e Lartë Administrative. Kështu, shqyrtimi gjyqësor i çështjes së kërkuesit nuk kishte qenë i mjaftueshëm. Më tej, gjyqtarët e Gjykatës më të Lartë Administrative ishin gjithashtu nën juridiksionin disiplinor të HJC dhe po ashtu mund t’i nënshtroheshin procedurave disiplinore para HJC. Prandaj, ata nuk kishin mundësi të demonstronin ”pavarësinë dhe paanshmërinë” që kërkohet nga neni 6.
Kështu, autoritetet vendase nuk kishin arritur të siguronin përcaktimin e pavarur dhe të paanshëm të çështjes së kërkuesit, dhe shqyrtimi gjyqësor i mëpasëm nuk i kishte korrigjuar ato defekte.
Përfundim: shkelje (njëzëri).
(c) Mungesa e një periudhe kufizimi për caktimin e një dënimi disiplinor – Kërkuesi ishte vënë në pozitë të vështirë, sepse ai duhej të përgatiste mbrojtjen e tij para HJC në vitin 2010 në lidhje me ngjarje disa prej të cilave kishin ndodhur në të kaluarën e largët (në vitet 2003 dhe 2006). E drejta vendase nuk parashikonte kufizime kohore në lidhje me procedurat për shkarkimin e një gjyqtari për “shkelje të betimit”. Ndërkohë që Gjykata nuk e gjeti me vend të cekte se sa e gjatë duhet të ishte periudha kufizuese, një qasje e tillë pa afat në çështje disiplinore ku përfshihej gjyqësori paraqiste një rrezik serioz për parimin e sigurisë ligjore.
Përfundim: shkelje (njëzëri).
(d) Procedura e votimit në mbledhjen parlamentare të Parlamentit – Vendimi për shkarkimin e kërkuesit ishte votuar në mungesë të shumicës së Anëtarëve të Parlamentit. Anëtarët e Parlamentit që kishin qenë të pranishëm kishin hedhur me qëllim dhe në mënyrë të paligjshme vota të shumëfishta të cilat i përkisnin kolegëve të tyre që mungonin. Prandaj, vendimi ishte marrë në shkelje të Kushtetutës, të Ligjit për Statusin e Anëtarëve të Parlamentit dhe të Rregullores së Parlamentit. Gjykata më e Lartë Administrative kishte dështuar në shqyrtimin e duhur të kësaj çështjeje.
Përfundim: shkelje (njëzëri).
(e) Përbërja e dhomës së Gjykatës më të Lartë Administrative – Sipas së drejtës vendase, përbërja personale e dhomës së veçantë e cila do të shqyrtonte çështjen e kërkuesit duhej të caktohej nga Kryetari i Gjykatës më të Lartë Administrative, por mandati i tij pesë-vjeçar si Kryetar kishte skaduar në kohën kur kryheshin këto veprime. Dispozitat përkatëse të së drejtës kombëtare që rregullonte procedurën për emërimin e kryetarëve të gjykatave ishin deklaruar antikushtetuese dhe procedurat e reja ende nuk ishin miratuar. Ndërkohë, emërimi i kryetarëve të gjykatave kishte qenë çështje debatesh të shumta mes autoriteteve ukrainase. Gjykata nuk mundi të gjente që dhoma që kishte vendosur në lidhje me çështjen kishte pasur një përbërje që e plotësonte kriterin e një “tribunali të ngritur sipas ligjit”.
Përfundim: shkelje (njëzëri).
Neni 8: Shkarkimi i kërkuesit kishte përbërë ndërhyrje tek e drejta e tij për respekt ndaj jetës private dhe familjare. Gjetja e Gjykatës që vota parlamentare për vendimin për shkarkimin e tij nga detyra nuk kishte qenë e ligjshme sipas së drejtës kombëtare ishte e mjaftueshme për të gjetur që ndërhyrja në fjalë nuk kishte qenë e justifikuar dhe kështu ishte në shkelje të nenit 8. Në kohën kur ishte vendosur çështja e kërkuesit nuk kishte rregulla apo praktika që përcaktonin një interpretim të qëndrueshëm të nocionit të “shkeljes së betimit” dhe nuk ishin vendosur mekanizma të përshtatshme mbrojtëse për të ndaluar zbatimin arbitrar të dispozitave përkatëse. Në mënyrë të veçantë, e drejta kombëtare nuk caktonte kufij kohorë për procedurat kundër një gjyqtari për “shkelje të betimit”, çka e kishte lënë të hapur lirinë e veprimit të autoriteteve disiplinore dhe kishte minuar parimin e sigurisë ligjore. Për më tepër, e drejta kombëtare nuk kishte përcaktuar një shkallë të përshtatshme dënimesh për vepra disiplinore dhe nuk kishte hartuar rregulla për të siguruar që zbatimi i tyre të ishte në përputhje me parimin e proporcionalitetit. Së fundi, nuk kishte pasur një kornizë të përshtatshme për shqyrtimin e pavarur dhe të paanshëm të një shkarkimi për shkak të “shkeljes së betimit”.
Përfundim: shkelje (njëzëri).
Neni 41: 20.000 euro për dëme jo-materiale. Çështja e shpërblimit të drejtë për sa i përket dëmeve jo-materiale e rezervuar.
Neni 46
(a) Masat e përgjithshme – Çështja nxori në pah probleme serioze sistematike për sa i përket funksionimit të gjyqësorit ukrainas. Në mënyrë të veçantë, sistemi i disiplinës nuk siguronte ndarje të mjaftueshme të gjyqësorit nga degët e tjera të pushtetit të Shtetit. Për më tepër, ai nuk ofronte garancitë e duhura kundër abuzimit dhe keqpërdorimit të masave disiplinore në dëm të pavarësisë gjyqësore. Prandaj Shtetit përgjegjës do t’i kërkohej të merrte një sërë masash me synim të reformimit të sistemit të disiplinës gjyqësore. Ato masa duhet të përfshinin reformën legjislative ku hynte ristrukturimi i bazës institucionale të sistemit. Masat gjithashtu duhet të përfshinin zhvillimin e formave të përshtatshme dhe parimeve të zbatimit koherent të së drejtës vendase në atë fushë.
(b) Masat individuale – Duke pasur parasysh nevojshmërinë e reformimit të sistemit të disiplinës gjyqësore, rihapja e procedurave në vend nuk do të përbënte një formë të përshtatshme të zgjidhjes për shkeljet e gjetura. Nuk kishte baza për të supozuar që çështja e kërkuesit do të rigjykohej në përputhje me parimet e Konventës në të ardhmen e afërt. Gjykata nuk e pa të arsyeshme të rekomandonte një masë të tillë. Duke pasur parasysh vetë rrethanat e jashtëzakonshme të çështjes dhe nevojën urgjente për t’i dhënë fund shkeljeve të neneve 6 dhe 8, Gjykata vendosi që Shteti përgjegjës duhet të sigurojë rikthimin e kërkuesit në detyrën e gjyqtarit të Gjykatës Supreme sa më shpejt që të jetë e mundur.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut
Kjo përmbledhje nuk është detyruese për Gjykatën.
Klikoni këtu për Notat Informative mbi praktikën gjyqësore
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, ta base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy