© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Ky përkthim u krye me mbështetje të Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për informacione të mëtejshme shiko të dhënat e plota për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyrights/droits d’auteur à la fin du present document.
GJYKATA EVROPIANE E TË DREJTAVE TË NJERIUT
SEKSIONI I TRETË
ÇËSHTJA OPUZ kundër TURQISË
(Kërkesë nr. 33401/02)
VENDIM
STRASBURG
9 Qershor 2009
I FORMËS SË PRERË
09/09/2009
Ky vendim mund të rishikohet nga ana redaktoriale.
Në çështjen Opuz kundër Turqisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Tretë), mbledhur si Dhomë e përbërë nga:
Josep Casadevall, President,
Elisabet Fura-Sandström,
Corneliu Bîrsan,
Alvina Gyulumyan,
Egbert Myjer,
Ineta Ziemele,
Işıl Karakaş, gjyqtarë,
dhe Santiago Quesada, Regjistrues i Seksionit,
Pas diskutimesh në seancë të mbyllur më 7 Tetor 2008 dhe 19 Maj 2009. Merr vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në datën e dytë të lartpërmendur.
PROCEDURA
1. Çështja e ka zanafillën në një kërkesë (nr. 33401/02) kundër Republikës së Turqisë, depozituar në Gjykatë në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa") nga një shtetase turke, Znj. Nahide Opuz ("kërkuesja"), më 15 korrik 2002.
2. Kërkuesja u përfaqësua nga Z. M. Beştaş, avokat që ushtron profesionin e tij në Diyarbakır. Qeveria turke (“Qeveria”) u përfaqësua nga Agjenti.
3. Kërkuesja pretendonte, veçanërisht, se autoritetet e Shtetit nuk kishin arritur të mbronin atë dhe nënën e saj ndaj dhunës në familje, gjë që kish përfunduar me vdekjen e nënës së saj dhe keqtrajtimin e asaj vetë.
4. Më 28 Nëntor 2006, Gjykata vendosi të njoftojë Qeverinë në lidhje me kërkesën. Sipas dispozitave të nenit 29, paragrafi 3, të Konventës, ajo vendosi të shqyrtojë themelin e çështjes së bashku me pranueshmërinë e saj.
5. Komente të palës së tretë u morën nga Interights, të cilëve u ish dhënë leja nga Presidenti të merrnin pjesë në procedurë (Neni 36 § 2 i Konventës dhe Rregulli 44 § 2 i Rregullores së Gjykatës). Qeveria iu përgjigj këtyre komenteve (Rregulli 44 § 5).
6. Më 7 Tetor 2008, në Godinën e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, u mbajt seanca dëgjimore në lidhje me pranueshmërinë dhe themelin e çështjes (Neni 59 § 3 i Rregullores së Gjykatës).
Përpara Gjykatës u paraqitën:
(a)për Qeverinë
Znj. Deniz Akçay, Bashkë-agjente,
Znj. Esra Demir,
Znj.Zeynep Gökşen Acar,
Z.Gürçay Şeker,
Znj.Gülsün Büker,
Znj.Elif Ercan,
Z.Murat Yardımcı, Këshilltarë;
(b)për Ankimuesen
Z. Mesut Beştaş,
Znj.Arzu Başer, Avokatë;
(c)për palën e tretë Interights
Znj.Andrea Coomber, Jurist i lartë,
Znj.Doina Iona Straisteanu, Avokate.
Komunikimi me Gjykatën u bë nga Znj. Akçay, Z. Beştaş dhe Znj. Coomber
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
7. Kërkuesja ka lindur në vitin 1972 dhe jeton në Dijarbakır.
8. Nëna e kërkueses u martua me A.O.-n me ceremoni fetare. Në vitin 1990, kërkuesja dhe H.O., djali i A.O-s, filluan një marrëdhënie mes tyre dhe vijuan të jetojnë së bashku. Ata u martuan zyrtarisht në 12 Nëntor 1995. Ata bënë tre fëmijë, në 1993, 1994 dhe 1996. Kërkuesja dhe H.O. kishin patur mosmarrëveshje të forta që në fillim të marrëdhënies së tyre. Faktet e paraqitura më poshtë nuk janë kundërshtuar nga Qeveria.
1. Sulmi i parë i H.O.-s dhe A.O.-s kundër kërkueses dhe nënës së saj
9. Më 10 Prill 1995, kërkuesja dhe nëna e saj depozituan një ankesë tek Zyra e Prokurorit Publik në Dijarbakır, ku pohonin se H.O. dhe A.O. u kishin kërkuar para, i kishin rrahur e i kishin kërcënuar se do i vrisnin. Ato pohonin gjithashtu se H.O. dhe babai i tij kërkonin të sillnin në shtëpi burra të tjerë.
10. Po atë ditë, kërkuesja dhe nëna e saj u vizituan nga një mjek. Raporti mjekësor për kërkuesen konstatoi nxirje në trupin e saj, një hematomë, ënjtje në vetullën e saj të majtë dhe gërvishtje me thonj në zonën e qafës. Raporti mjekësor për nënën e kërkueses gjithashtu përmendi nxirje dhe ënjtje të konstatuara në trupin e saj. Në 20 Prill u lëshuan raporte përfundimtare, të cilët konfirmuan konstatimet e raportit të parë dhe deklaruan se dëmtimet në fjalë ishin të tilla që i bënin, si kërkuesen, edhe nënën e saj, të paafta për punë për pesë ditë.
11. Më 25 Prill 1995, prokurori publik ngriti padi kundër H.O.-s dhe A.O.-s për kanosje për vdekje dhe lëndime në trup. Më 15 Qershor 1995, Gjykata I e Magjistratëve të Dijarbakırit pushoi çështjen në lidhje me padinë për sulm, pasi kërkuesja dhe nëna e saj kishin tërhequr denoncimet e tyre, duke hequr kësisoj edhe bazën për proces gjyqësor sipas Nenit 456 § 4 të Kodit Penal.
12. Më 11 Shtator 1995 Gjykata II e Magjistratëve të Dijarbakırit
gjithashtu i liroi të akuzuarit prej akuzës për kanosje me vdekje për mungesë faktesh, e po ashtu ndërpreu edhe çështjen e sulmit, duke vënë në dukje se ajo ishte dëgjuar më parë nga Gjykata I e Magjistratëve të Dijarbakırit.
2. Sulmi i dytë i H.O.-s ndaj kërkueses
13. Më 11 Prill 1996, gjatë një debati, H.O. e rreh kërkuesen shumë keq. Raporti mjekësor i përpiluar në këtë rast flet për gjakrrjedhje në sipërfaqe në syrin e saj të djathtë, gjakrrjedhje ne veshin e saj të djathtë, një hematomë në shpatullën e majtë të kërkueses dhe dhimbje kurrizi. Raporti nxorri përfundimin se dëmtimet e kërkueses ishin të mjaftueshme për rrezikuar jetën e saj. Po atë ditë, me kërkesë të prokurorit publik dhe me vendim të një gjykatësi, H.O. u ndalua nga policia.
14. Më 12 Prill 1996, prokurori publik paraqiti padi në Gjykatën Penale të Dijarbakırit, ku H.O. u akuzua për lëndime të rënda trupore në bazë të neneve 456 § 2 dhe 457 § 1 të Kodit Penal.
15. Më 15 Prill 1996 H.O. i paraqiti një kërkesë Kryesisë së Gjykatës I të Magjistratëve ku kërkonte të lirohej në pritje të gjyqit. Ai shpjegoi se, gjatë një grindje me të shoqen, ishte nxehur dhe e kishte qëlluar të shoqen me shpulla dy apo tri herë. Pastaj vjehrra e tij, e cila punonte në një spital, kish siguruar një raport mjekësor për gruan e tij e se ky raport kishte çuar në arrestimin e tij pa asnjë arsye. Ai deklaroi se nuk donte të humbte familjen dhe biznesin e se i vinte keq që kishte rrahur të shoqen.
16. Më 16 Prill 1996 Gjykata II e Magjistratëve hodhi poshtë kërkesën e H.O-s për lirim deri në mbajtjen e gjyqit dhe vendosi që ai të vazhdonte të mbahej në paraburgim.
17. Në seancën e 14 Majit 1996, kërkuesja përsëriti ankesën e saj. Prokurori publik kërkoi lirimin e H.O.-s në pritje të marrjes së vendimit nga gjykata, duke marrë në konsideratë natyrën e veprës dhe faktin që kërkuesja tashmë ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Për pasojë, gjykata e liroi H.O.-n.
18. Në seancën e 13 Qershorit 1996 kërkuesja tërhoqi denoncimin e saj, duke thënë se ajo dhe bashkëshorti i saj ishin pajtuar tashmë.
19. Më 18 Korrik 1996 gjykata konstatoi se vepra kishte të bënte me nenin 456 § 4 të Kodit Penal, për të cilën kërkohej denoncimi i kërkueses për ndjekjen më tej të procesit. Në përputhje me këtë, ajo pushoi çështjen me argumentimin se kërkuesja e kishte tërhequr denoncimin.
3. Sulmi i tretë i H.O.-s. kundër kërkueses dhe nënës së saj
20. Më 5 Shkurt 1998 kërkuesja, e ëma, e motra dhe H.O. patën një grindje mes tyre, gjatë të cilës H.O. i nxjerr thikën kërkueses. H.O.-ja, kërkuesja dhe nëna e saj u lënduan. Raportet mjekësore vërtetuan lëndimet e shkaktuara, të cilët i bënin ata të paaftë për punë për, përkatësisht, shtatë, tre dhe pesë ditë.
21. më 6 Mars 1998 prokurori publik vendosi të mos ndjekë penalisht askënd në lidhje me këtë incident. Ai arriti në përfundimin se nuk kishte fakte të mjaftueshme për ndjekjen penale të H.O-s në lidhje me sulmin me thikë, dhe se shkeljet e tjera të goditjes dhe dëmtimit të pasurisë mund të ishin objekt i proceseve civile. Kësisoj nuk kishte asnjë interes publik për ndjekjen e çështjes.
22. Kërkuesja shkoi të banonte tek e ëma.
4. Sulmi i katërt i H.O. kundër ankueses dhe nënës së saj: kërcënime dhe sulm (me një makinë) që çojnë në fillimin e procedurës së divorcit
23. Më 4 Mars 1998 H.O. goditi me makinë kërkuesen dhe nënën e saj. Nëna e kërkueses u pa se kishte pësuar dëmtime kërcënuese për jetën. Në stacionin e policisë, H.O. pretendoi se incidenti kishte qenë një aksident. Ai vetëm se kishte dashur të merrte në makinë kërkuesen dhe të ëmën, gjë që ato e kishin refuzuar duke vazhduar rrugën në këmbë. Pastaj ato ishin hedhur përpara makinës. Nëna e kërkueses pohoi se H.O. u kishte thënë të hipnin në makinë e se do i vriste në rast se nuk pranonin. Duke mos dashur të hipin në makinë, ato kishin nisur të vraponin, ndërsa H.O. i kishte dhënë makinës drejt kërkueses, e cila ishte rrëzuar. Ndërsa e ëma e kërkueses u përpoq të ndihmonte të bijën, H.O. ishte tërhequr pas me makinë e më pas ishte lëshuar përpara, këtë herë mbi nënën. Nëna e kërkueses u përmend në spital. Në deklaratat e saj për policinë, kërkuesja konfirmoi deklaratat e të ëmës dhe pohoi se i shoqi ishte përpjekur t’i vriste me makinën e tij.
24. Më 5 Mars 1998 Gjykata Magjistratëve e Dijarbakırit, e përbërë nga një gjykatës, vendosi për arrestimin e H.O-s.
25. Më 19 Mars 1998 prokurori publik hapi proces penal kundër H.O.-s në Gjykatën e 3-të Penale të Dijarbakirit për kanosje me vdekje dhe shkaktim lëndimesh të rënda trupore. Në të njëjtën ditë, Instituti i Mjekësisë Ligjore paraqiti një raport i cili konstatonte gërvishtje në gjunjët e kërkueses. Raporti arriti në përfundimin se lëndimet e kërkueses e bënin atë të paaftë për punë për pesë ditë.
26. Më 20 Mars 1998 kërkuesja filloi procedurën e divorcit ndaj H.O.-s për shkak të mosmarrëveshjeve serioze mes tyre. Ajo pretendoi se i shoqi u shmangej përgjegjësive të tij si bashkëshort dhe baba. Ai e keqtrajtonte, siç provohej nga raportet mjekësore. Ajo pohoi, gjithashtu, se i shoqi sillte gra të tjera në shtëpinë e tyre. Kërkuesja parashtron se më pas ajo e ndërpreu çështjen e divorcit për shkak të kërcënimeve dhe presioneve nga i shoqi.
27. Më 2 Prill 1998 kërkuesja dhe nëna e saj iu drejtuan zyrës së kryeprokurorit publik me kërkesën për marrjen e masave mbrojtëse nga autoritetet në vijim të kërcënimeve për vdekje që u bënin H.O. dhe babai i tij.
28. Më 2 dhe 3 Prill 1998 oficerët e policisë morën deklarata nga kërkuesja, nëna e saj, vëllai i saj dhe e shoqja e këtij të fundit, si dhe nga H.O. dhe babai i tij. Ankimuesja dhe nëna e saj deklaruan se H.O. ishte përpjekur t’i vriste me makinën e tij e se i kishte kërcënuar me vdekje në rast se kërkuesja nuk kthehej tek H.O. Ato vunë në dukje se kërkuesja kishte filluar tashmë procedurën e divorcit dhe se nuk donte të kthehej të jetonte me H.O.-n. Vëllai i kërkueses dhe gruaja e tij pohuan se kërkuesen e shtynte e ëma që të mos kthehej tek i shoqi dhe se nuk dinin asgjë për kërcënimet e bëra nga H.O. dhe babai i tij. H.O. argumentoi se qëllimi i tij i vetëm ishte të mbante të bashkuar familjen e tij, por këtë gjë e pengonte vjehrra e tij. Ai, po ashtu, pohonte se kishte shkuar tek vëllai i të shoqes dhe tek më të moshuarit e familjes për t’u kërkuar ndihmë, por pa dobi. Ai pretendoi se nuk e kishte kërcënuar asnjëherë kërkuesen apo nënën e saj e se deklaratat e tyre ishin shpifje. Babai i H.O.-s pohoi se nëna e kërkueses donte që e bija të divorcohej nga H.O. e të martohej me dikë tjetër.
29. Në një raport të datës 3 Prill 1998, Shefi i Departamentit të Ligjit dhe Rendit në Drejtorinë e Sigurisë së Dijarbakirit informoi Zyrën e Kryeprokurorit Publik në lidhje me rezultatet e hetimeve mbi pretendimet e paraqitura nga kërkuesja dhe nëna e saj. Ai përfundoi se kërkuesja e kishte lënë të shoqin dhe kishte shkuar të jetonte me të ëmën. Kërkesat e përsëritura të H.O-s për kthimin e të shoqes ishin hedhur poshtë nga e nëna e kërkueses dhe kjo e fundit e kishte fyer H.O-n dhe pretendonte se H.O. e kishte kërcënuar për vdekje. H.O. kishte bërë 25 ditë burg pasi kish goditur vjehrrën me makinë dhe, me t’u liruar, u kishte kërkuar ndihmë një numri të tërë ndërmjetësuesish ta bindnin të shoqen të kthehej në shtëpi. Megjithatë, e ëma nuk e lejoi kërkuesen të kthehej tek H.O. Të dy palët i kishin bërë kërcënime njëri-tjetrit. Veç kësaj, nëna kishte dashur të ndante të bijën nga H.O. me qëllim që të hakmerrej ndaj ish-bashkëshortit të saj, kishte bërë në mënyrë të vazhdueshme deklarata të pavërteta e, veç kësaj, edhe kishte “harxhuar” kohën e forcave të sigurisë.
30. Më 14 Prill 1998 Shefi i Prokurorisë së Dijarbakirit paditi H.O.-n dhe babanë e tij A.O. me akuzën se kishin kërcënuar me vdekje kërkuesen dhe nënën e saj, në shkelje të nenit 188 § 1 të Kodit Penal.
31. Më 30 Prill 1998 Gjykata Penale e Dijarbakirit e liroi H.O.-n në pritje të përfundimit të procesit gjyqësor. Ajo u shpreh më tej se nuk kishte juridiksion mbi çështjen dhe ia përcolli dosjen Gjykatës për Krime të Rënda të Dijarbakırit.
32. Më 11 Maj 1998 Gjykata për Krime të Rënda e cilësoi shkeljen si tentativë për vrasje. Gjatë seancës së 9 Korrikut 1998, H.O. përsëriti se incidenti kishte qenë një aksident; dera e makinës ishte hapur dhe, kur ai kishte lëvizur makinën, kishte goditur aksidentalisht kërkuesen. Kërkuesja dhe e ëma konfirmuan deklaratën e H.O.-s dhe u shprehën se nuk donin ta vazhdonin më tej procesin gjyqësor.
33. Më 23 Qershor 1998 Gjykata për Krime të Rënda e Dijarbakırit e liroi H.O.-n dhe babanë e tij nga akuzat për kanosje me vdekje, për mungesë provash të mjaftueshme. Gjykata vuri në dukje se i akuzuari kishte mohuar pretendimet e paraqitura dhe paditëset kishin tërhequr denoncimet e tyre. Kërkuesja nisi sërish të jetonte me H.O.-n
34. Më 9 Korrik 1998 nëna e kërkueses iu nënshtrua një vizite tjetër mjekësore nga ku rezultoi se lëndimet e saj nuk ishin kërcënuese për jetën, por e bënin të paaftë për punë për 25 ditë.
35. Në seancën e 8 Tetorit 1998, kërkuesja dhe e ëma i tërhoqën denoncimet e tyre. Ato deklaruan se dera e makinës ishte hapur dhe H.O. i kishte goditur aksidentalisht. Kur u pyetën për denoncimet e tyre ndaj H.O.-s, kërkuesja dhe e ëma deklaruan se ato ishin grindur me H.O.-n dhe akuzat i kishin bërë në inat e sipër.
36. Më 17 Nëntor 1998 Gjykata e Krimeve të Rënda e Dijarbakırit konkludoi se çështja duhej pushuar sa i takonte veprës ndaj ankimueses, përderisa ajo e kishte tërhequr denoncimin e saj. Megjithatë vendosi që, edhe pse nëna e kërkueses e kishte tërhequr, gjithashtu, denoncimin e saj, H.O. duhej dënuar për shkeljen e bërë, pasi lëndimet e shkaktuara ishin serioze. Si rezultat, gjykata e dënoi H.O.-n me tre muaj burg dhe gjobë; dënimi me burg më pas u kthye në gjobë.
5. Sulmi i pestë i H.O.-s kundër kërkueses, duke shkaktuar lëndime trupore serioze
37. Më 29 Tetor 2001 kërkuesja shkoi për vizitë tek e ëma. Po atë ditë, pak më vonë, H.O. telefonon dhe i kërkon kërkueses të kthehet në shtëpi. Kërkuesja, me merakun se i shoqi do të bëhej sërish i dhunshëm ndaj saj, i thotë të ëmës “do më bëjë copash ky njeri!”. Nëna e kërkueses e nxit atë të kthehet në shtëpi me fëmijët. Tre çerek ore më vonë, një nga fëmijët vjen e thotë se i ati kishte qëlluar të ëmën me thikë. Nëna e kërkueses niset vrap për tek shtëpia e kërkueses. Ajo pa se kërkuesja ishte shtrirë përtokë dhe i rridhte gjak. Me ndihmën e fqinjëve, e futi kërkuesen në një taksi dhe e dërgoi në Spitalin Shtetëror të Dijarbakirit. Autoritetet e spitalit i thanë se gjendja e kërkueses ishte serioze dhe e transferuan në Spitalin Universitar të Dicle-s, i cili ishte i pajisur më mirë. Raporti mjekësor vuri në dukje shtatë lëndime me thikë në pjesë të ndryshme të trupit. Megjithatë lëndimet nuk u cilësuan si kërcënuese për jetën.
38. Rreth orës 23.30 të po asaj dite, H.O.është dorëzuar në polici. Policia ka konfiskuar thikën që ai kishte përdorur gjatë incidentit. H.O. ka deklaruar se e shoqja bashkë me fëmijët nuk ishin kthyer akoma kur ai kishte ardhur në shtëpi në orën 6 pasdite. Ai i kishte marrë në telefon e u kishte kërkuar të ktheheshin. Kur ata ishin kthyer në shtëpi, ai e kishte pyetur kërkuesen, “Pse rri gjithë kohën jashtë? Pse nuk më ke bërë gjë për të ngrënë?” Kërkuesja i ishte përgjigjur, “Ne kemi ngrënë te mamaja ime”, dhe i kishte vënë përpara një pjatë me fruta. Kanë vazhduar më tej të grinden. Ai i kishte thënë, “Pse shkon kaq shpesh nga jot ëmë? S’ke pse shkon gjithë kohën andej, rri në shtëpi e kujdesu për fëmijët!” Grindja është përshkallëzuar. Në një moment, kërkuesja e ka sulmuar me pirun. Ata kanë filluar të grinden e, në përleshje e sipër, ai ka humbur kontrollin, ka rrëmbyer thikën e frutave dhe e ka goditur, nuk mban mend sa herë. Ai ka pretenduar se e shoqja është më trupmadhe se ai, ndaj dhe i është dashur t’i përgjigjej sulmit të saj. Ai ka shtuar se e shoqja nuk është njeri i keq e se ata kishin jetuar mjaft mirë deri dy vite më parë. Gjithsesi, grindjet kishin nisur kur e nëna e kërkueses kishte filluar të ndërhyjë në jetën e tyre martesore. Ai ka deklaruar se i vinte keq për çfarë kishte bërë. Pas marrjes së deklaratës prej tij, H.O. është lënë i lirë.
39. Më 31 Tetor 2001 avokatja e nënës së kërkueses i drejtoi një kërkesë Zyrës së Prokurorit Publik të Dijarbakırit. Në kërkesën e saj ajo u shpreh se nëna e kërkueses i kishte thënë se H.O. e kishte rrahur shumë keq të bijën rreth pesë vjet më parë, mbas të cilës ai ishte arrestuar. Megjithatë, mbas seancës së parë ishte lënë i lirë. Ajo deklaroi se klientja e saj dhe kërkuesja ishin detyruar të tërhiqnin denoncimin si rezultat i presionit të vazhdueshëm dhe kanosjeve me vdekje të H.O.-s. Ajo deklaroi më tej se qarkullonin fjalë për përfshirje të H.O.-s në trafikim femrash. Në fund ajo iu referua incidentit të 4 Marsit 1998 (shiko më lart), duke argumentuar se, pas një incidenti kaq të rëndë, lënia në gjendje të lirë e H.O.-s ishte moralisht e dëmshme dhe kërkoi vënien e tij nën arrest.
40. Më 2 Nëntor 2001 avokatja e kërkueses i paraqiti Zyrës së Kryeprokurorit Publik një akt kundërshtimi ndaj raportit mjekësor të Spitalit të Fakultetit të Mjeksisë së Dicle-s, i cili kishte arritur në përfundimin se lëndimet e kërkueses nuk ishin kërcënuese për jetën. Avokatja kërkoi një ekzaminim të ri mjekësor.
41. Më 9 Nëntor 2001 kërkuesja i paraqiti një kërkesë Zyrës së Kryeprokurorit Publik të Dijarbakırit, ku u ankua se ishte qëlluar disa herë me thikë nga H.O. pas një grindje që kishte pasur me të. Ajo i kërkoi prokurorit publik ta dërgonte atë tek Instituti i Mjekësisë Ligjore për një ekzaminim të ri mjekësor.
42. Më 8 Nëntor 2001 kërkuesja iu nënshtrua një ekzaminimi të ri mjekësor tek Instituti i Mjekësisë Ligjore të Dijarbakırit me urdhër të prokurorit publik. Mjeku ligjor konstatoi praninë e dëmtimeve të shkaktuara nga një thikë në kyçin e dorës së majtë (3 cm e gjatë), në ijen e majtë (5 cm e thellë), një tjetër dëmtim 2cm të thellë në ijen e majtë dhe një dëmtim menjëherë sipër gjurit të majtë. Ai shprehu mendimin se këto dëmtime nuk ishin kërcënuese për jetën, por e bënin kërkuesen të paaftë për punë për shtatë ditë.
43. Më 12 Dhjetor 2001 prokurori publik dorëzoi padinë tek Gjykata e Magjistratëve të Dijarbakırit, ku H.O. u akuzua për sulm me thikë në bazë të nenit 456 § 4 and 457 § 1 të Kodit Penal.
44. Me një vendim penal të datës 23 Maj 2002, Gjykata II e Magjistratëve të Diyarbakırit dënoi H.O.-n me një gjobë prej 839,957,040 lirash turke për sulmin me thikë ndaj kërkueses. Ajo vendosi që gjoba të shlyhej në tetë këste.
6. Incidenti i gjashtë ku H.O. kërcënoi kërkuesen
45. Më 14 Nëntor 2001 kërkuesja paraqit ankesë penale pranë Zyrës së Prokurorit Publik të Dijarbakırit, me pretendimin se H.O. e kishte kërcënuar.
46. Më 11 Mars 2002 prokurori publik vendosi se nuk kishte prova konkrete për procedim penal ndaj H.O.-s, pavarësisht deklaratave të kërkueses.
7. Ankimi i nënës së kërkueses pranë zyrës së prokurorit publik për shkak të kërcënimit me vdekje nga H.O. dhe A.O.
47. Më 19 Nëntor 2001 nëna e kërkueses paraqiti ankesë tek prokurori publik. Në ankimin e saj, ajo deklaron se H.O., A.O. dhe të afërmit e tyre e kishin kërcënuar vazhdimisht atë dhe të bijën. Në mënyrë të veçantë, H.O. i kishte thënë, “Do të vras ty, fëmijët e tu dhe gjithë familjen tënde!” Ai gjithashtu i kishte ngacmuar dhe dhunuar privacinë e saj duke u endur rrotull pronës së saj, ndërsa mbante me vete thikë dhe armë. Ajo deklaroi se H.O. duhet të mbante përgjegjësi në rast se ndodhte ndonjë incident ku të përfshihej ajo dhe familja e saj. Ajo, po ashtu, iu referua ngjarjeve të 29 Tetorit 2001 kur kërkuesja ishte goditur me thikë prej tij (shih më lart). Në përgjigje të kësaj kërkese, më 22 nëntor 2002, prokurori publik i shkroi një letër Drejtorisë së Sigurisë në Dijarbakır dhe i kërkoi të merrnin në pyetje kërkuesen dhe H.O.-n e t’i paraqisnin zyrës së tij një raport hetimi.
48. Ndërkohë, më 14 Dhjetor 2001, kërkuesja filloi përsëri procedurën e divorcit në Gjykatën Civile të Dijarbakırit.
49. Më 23 Dhjetor 2001 policia mori në pyetje H.O.-n në lidhje me pretendimet e nënës së kërkueses. Ai mohoi thëniet kundër tij dhe pretendoi se vjehrra e tij, e cila kishte ndërhyrë në martesën e tij dhe kishte ushtruar ndikim te gruaja e tij, duke e shtyrë atë drejt një jete të pamoralshme, e kishte kërcënuar. Policia, më 5 Janar 2002, mori në pyetje edhe nënën e kërkueses. Ajo pretendonte se H.O. i kishte ardhur te pragu i shtëpisë çdo ditë, me thikë apo armë zjarri, dhe kërcënonte me vdekje atë, të bijën dhe nipërit e saj.
50. Më 10 Janar 2002 H.O. u akuzua në bazë të nenit 191 § 1 të Kodit Penal për kanosje me vdekje.
51. Më 27 Shkurt 2002 nëna e kërkueses i paraqiti një tjetër kërkesë Zyrës së Prokurorit Publik të Dijarbakırit. Ajo deklaroi se kërcënimet e H.O.-s ishin intensifikuar. H.O., bashkë me shokët e tij, e kishin ngacmuar duke e kërcënuar dhe sharë në telefon. Ajo deklaroi se jeta e saj ishte në rrezik të menjëhershëm dhe kërkonte që policia të vinte nën përgjim telefonin e saj dhe të merrte masa ndaj H.O.-s. Po atë ditë, Zyra e Prokurorit Publik i kërkoi Drejtorisë së Telekomit Turk në Dijarbakır t’i paraqiste zyrës së tij një listë me të gjithë numrat e telefonit që do të telefononin nënën e ankimueses gjatë muajit në vazhdim. Në mungesë të përgjigjes, prokurori publik e përsëriti kërkesën e tij më 3 Prill 2002.
52. Më 16 Prill 2002 Gjykata e Magjistratëve të Dijarbakırit mori në pyetje H.O.-n në lidhje me sulmin e tij me thikë ndaj vjehrrës së tij. Ai përsëriti deklaratën që i kishte dhënë policisë, duke shtuar se nuk donte që e shoqja të shkonte për vizitë tek e ëma, pasi kjo e fundit kishte bërë një jetë të pamoralshme.
8. Vrasja e nënës së kërkueses nga H.O.
53. Kërkuesja kishte jetuar me nënën e saj që prej incidentit të 29 Tetorit 2001.
54. Në një datë të paspecifikuar, nëna e kërkueses kishte organizuar, nëpërmjet një kompanie transporti, transportin e mobiljeve të saj për në Izmir. H.O. e kishte marrë vesh një gjë të tillë dhe thuhet të ketë thënë, “Kudo që të shkosh, unë do të gjej e do të vras!”. Pavarësisht kërcënimeve, më 11 Mars 2002, mobiljet u ngarkuan në kamionin e kompanisë së transportit. Kamioni bëri dy rrugë midis qendrës së transfertave të kompanisë dhe shtëpisë. Në rrugën e tretë, nëna e kërkueses i kërkoi shoferit ta çonte deri tek qendra e transfertave. Ajo u ul përpara, në krah të shoferit. Rrugës për atje, një taksi parakalon duke i dalë përpara kamionit dhe fillon të ndezë sinjalet. Shoferi i kamionit, duke menduar se taksisti donte ta pyeste për ndonjë adresë, ndaloi. Nga taksia doli H.O. Ai hapi derën e përparme ku rrinte ulur nëna e kërkueses, duke bërtitur diçka të ngjashme me “Ku po i çon mobiliet?” dhe e qëllon. Nëna e kërkueses vdiq menjëherë.
9. Procesi penal kundër H.O.-s
55. Më 13 Mars 2002 Prokurori Publik i Dijarbakırit ngriti padi pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda të Diyarbakırit, me akuza ndaj H.O.-s për vrasje me paramendim në bazë të nenit 449 § 1 të Kodit Penal.
56. Në deklaratat e tij për policinë, prokurorin publik dhe gjykatën, H.O. pretendoi se ai e kishte vrarë nënën e kërkueses, pasi ajo e kishte nxitur gruan e tij të bënte një jetë të pamoralshme, siç kishte bërë dhe vetë, dhe se po ia largonte të shoqen dhe fëmijët. Ai deklaroi, më tej, se ditën kur kishte ndodhur incidenti, kur ai e kishte pyetur të ndjerën se ku po i çonte mobiljet e se ku ishte e shoqja, ajo i ishte përgjigjur, “Ik pir.., do ta marr tët shoqe e do e shes”. Ai deklaroi se e kishte humbur toruan dhe e kishte qëlluar për hir të nderit të tij dhe të fëmijëve.
57. Në një vendim të formës së prerë të datës 26 Mars 2008, Gjykata e Krimeve të Rënda të Dijarbakırit e dënoi H.O.-n për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Ajo e dënoi me burgim të përjetshëm. Megjithatë, duke marrë parasysh faktin që i akuzuari kishte kryer krim si rezultat i provokimeve të bëra nga e ndjera, si dhe sjelljen e tij të mirë gjatë procesit gjyqësor, gjykata e zbuti dënimin e parë duke e kthyer atë në burg për 15 vjet e 10 muaj dhe një gjobë prej 180 lira turke të reja. Duke marrë parasysh kohën që i dënuari kishte kaluar në paraburgim dhe faktin që vendimi do të shqyrtohej në apel, gjykata urdhëroi lirimin e H.O.-s.
58. Procesi i apelit është ende në pritje të vendimit nga Gjykata e Kasacionit.
10. Zhvillimet e fundit pas lirimit të H.O-s.
59. Në kërkesën e datës 15 Prill 2008, kërkuesja depozitoi një ankesë penale pranë Zyrës Qendrore të Prokurorit Publik Kemalpaşa në Izmir, për t’iu përcjellë Zyrës Qendrore të Prokurorit Publik të Dijarbakırit, dhe u kërkoi autoriteteve të merrnin masa për mbrojtjen e jetës së saj. Ajo vuri në dukje se ish-bashkëshorti i saj,[1] H.O., ishte liruar nga burgu dhe se, në fillim të prillit, kishte shkuar të takonte të dashurin e saj M.M., i cili punonte në një kantier ndërtimi në Diyarbakır, e i kish kërkuar t’i tregonte se ku ndodhej ajo. Meqenëse ai nuk kishte pranuar t’i jepte adresën, H.O. e kishte kërcënuar e i kishte thënë se do ta vriste atë dhe kërkuesen. Kërkuesja pretendoi se H.O. i kishte vrarë të ëmën tashmë e nuk do të hezitonte të vriste edhe atë. Ajo kishte ndërruar adresën vazhdimisht me qëllim që H.O. të mos e gjente dot. Në fund ajo u kërkoi autoriteteve të prokurorisë të mbanin sekret adresën e saj dhe emrin e të dashurit të saj dhe të bënin përgjegjës H.O.-n në rast se do i ndodhte ndonjë gjë asaj dhe të afërmve të saj.
60. Më 14 Maj 2008 përfaqësuesja e kërkueses informoi Gjykatën se bashkëshorti i kërkueses ishte liruar nga burgu dhe se kishte filluar sërish të kërcënonte kërkuesen. Ajo u ankua se nuk ishte marrë asnjë masë pavarësisht kërkesës së kërkueses. Kësisoj, ajo i kërkoi Gjykatës t’i kërkonte Qeverisë të siguronte mbrojtjen e nevojshme.
61. Në një letër të datës 16 Maj 2008, Sekretaria e Gjykatës ia përcolli kërkesën e kërkueses Qeverisë për komente dhe u kërkoi atyre të informonin Gjykatën në lidhje me masat që do të merreshin nga autoritetet përkatëse.
62. Më 26 Maj 2008 Drejtori i Departamentit të së Drejtës Ndërkombëtare dhe Marrëdhënieve me Jashtë pranë Ministrisë së Drejtësisë i dërgoi një letër faks Zyrës Qendrore të Prokurorit Publik në Dijarbakır në lidhje me kërkesën e kërkueses në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Ai informoi Zyrën Qendrore të Prokurorit Publik në lidhje me kërkesën e kërkueses në pritje për t’u shqyrtuar nga Gjykata dhe u kërkoi informacion në lidhje me situatën aktuale të ekzekutimit të dënimit të H.O.-s, statusin aktual të procesit në lidhje me ankesën penale paraqitur nga kërkuesja Zyrës Qendrore të Prokurorit Publik Kemalpaşa në Izmir dhe masat e marra për mbrojtjen e jetës së kërkueses.
63. Po atë ditë, një prokuror publik nga Zyra Qendrore e Prokurorit Publik në Dijarbakır i shkroi Zyrës së Guvernatorit të Dijarbakırit dhe kërkoi të merren masa për mbrojtjen e kërkueses.
64. Përmes një letre të datës 28 Maj 2008 nga Zyra Qendrore e Prokurorit Publik të Dijarbakırit drejtuar Drejtorisë Qendrore të Policisë Şehitler të Dijarbakırit, Prokurori Publik (A.E.) i kërkoi policisë të thërriste në zyrën e tij H.O.-n për ta marrë në pyetje në lidhje me hetimin.
65. Më 29 Maj 2008 A.E. merr në pyetje H.O.-n në lidhje me ankesën penale të paraqitur nga kërkuesja. H.O. mohoi deklaratat sipas të cilave ai kishte kërcënuar kërkuesen dhe pretendoi se ajo i kishte bërë këto deklarata me qëllim që t’i krijonte shqetësime tani që ishte liruar nga burgu. Ai deklaroi se nuk ndjente kurrfarë armiqësie ndaj kërkueses e se i ishte kushtuar familjes dhe fëmijëve të tij.
66. Më 3 Qershor 2008 A.E. mori në pyetje të dashurin e kërkueses, M.M. Ky i fundit u shpreh se H.O. e kishte marrë në telefon dhe i kishte kërkuar adresën e kërkueses dhe se i kishte thënë se do ta vriste atë këtë. M.M. nuk u takua me H.O.-n. As nuk e denoncoi H.O.-n. Megjithatë ai i telefonoi kërkueses dhe e informoi në lidhje me kërcënimet që i kishte bërë H.O.
67. Në një letër të datës 20 Qershor 2008 Qeveria informoi Gjykatën se bashkëshorti i kërkueses nuk e kishte kryer ende dënimin, por ishte liruar në pritje të përfundimit të procesit të apelit me qëllim që të shmangej kalimi i afatit të lejueshëm të paraburgimit. Ata deklaruan gjithashtu se Zyra Lokale e Guvernatorit dhe Zyra Qendrore e Prokurorit Publik ishin informuar në lidhje me ankesën e kërkueses dhe kishin marrë urdhër për marrjen e masave për mbrojtjen e kërkueses.
68. Përfundimisht, në fund, më 14 Nëntor 2008, përfaqësuesi ligjor i kërkueses informoi Gjykatën se jeta e klientes së tij ishte në rrezik të menjëhershëm, pasi autoritetet nuk kishin marrë ende masa për mbrojtjen e saj nga ish bashkëshorti i saj. Sekretaria e Gjykatës ia përcolli këtë letër menjëherë Qeverisë, me kërkesën për informacion në lidhje me masat e marra prej tyre për mbrojtjen e kërkueses.
69. Më 21 Nëntor 2008 Qeveria informoi Gjykatën se autoritetet policore kishin marrë masa specifike për mbrojtjen e kërkueses nga ish bashkëshorti saj. Në mënyrë të veçantë, fotoja dhe shenjat e gishtërinjve të bashkëshortit të kërkueses i ishin shpërndarë stacioneve të policisë në të gjithë rajonin në mënyrë që të mund ta arrestonin, po qe se ai shfaqej në afërsi të banesës së kërkueses. Policia mori në pyetje kërkuesen në lidhje me deklaratat e bëra. Ajo deklaroi se ajo nuk ishte kërcënuar nga bashkëshorti i saj që prej një muaji e gjysmë.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA PËRKATËSE
A. E drejta dhe praktika e brendshme
70. Dispozitat e të drejtës së brendëshme përkatëse ku janë mbështetur autoritetet gjyqësore në lidhje me këtë çështje përshkruhen më poshtë.
1. Kodi Penal
Neni 188
“Kushdo që nëpërmjet përdorimit të forcës apo kanosjes detyron një person tjetër të bëjë ose të mos bëjë diçka, ose siguron lejen e këtij të fundit për të bërë diçka ... do të dënohet nga gjashtë muaj deri në një vit burg dhe me një gjobë nga një mijë deri në tre mijë lira ....”.
Neni 191 § 1
“Kushdo që, veç situatave të përcaktuara në ligj, kërcënon një person tjetër me dëme serioze dhe të padrejta, do të dënohet me gjashtë muaj burg.”
Neni 449
“Në qoftë se akti i vrasjes:
a. Kryhet ndaj gruas, bashkëshortit, motrës apo vëllait, nënës adoptive, fëmijës së adoptuar, njerkës, njerkut, thjeshtrit, vjehrrit, vjehrrës, dhëndrit, apo nuses (së djalit)... autori dënohet me burgim të përjetshëm...”
Neni 456 § 1, 2 dhe 4
“Kushdo që torturon një person tjetër fizikisht ose dëmton mirëqenien e tij apo të saj, ose shkakton dëmtime cerebrale, pa synuar vrasjen, do të dënohet nga gjashtë muaj deri në një vit burg.”
Kur veprimi përbën rrezik për jetën e viktimës ose shkakton dobësi të vazhdueshme në një nga organet apo shqisat, ose vështirësi të përhershme në të folur ose dëmtime të përhershme në fytyrë, ose sëmundje fizike apo mendore për njëzet a më shumë ditë, ose ndalon/pengon (viktimën) të vazhdojë punën e përditshme për të njëjtin numër ditësh, autori do të dënohet nga dy deri në pesë vjet burg.
...
Në qoftë se veprimi nuk ka shkaktuar ndonjë sëmundje ose nuk ka penguar (viktimën) të vazhdojë punën e përditshme, ose këto situata nuk kanë zgjatur më shumë se dhjetë ditë, autori do të dënohet nga dy deri në gjashtë muaj burg ose me gjobë të rëndë nga dymbëdhjetë mijë deri në njëqind e pesëdhjetë mijë lira, me kusht që personi i dëmtuar të bëjë denoncim ...”
Neni 457
“Në qoftë se veprimet e përmendura në nenin 456 janë kryer ndaj personave të cituar në nenin 449 ose, në qoftë se veprimi është kryer me anë të një armë të fshehur apo të dukshme ose nga substanca kimike të dëmshme, ndëshkimi do të rritet me një të tretën deri në gjysmën e dënimit kryesor.”
Neni 460
“Në situatat e përmendura në Nenet 456 dhe 459, ku nisja e ndjekjes penale varet nga denoncimi [nga viktima], në rast se viktima tërheq pretendimet e tij/saj përpara dhënies së vendimit të formës së prerë, ndjekja penale pushohet.”2. Ligji për Mbrojtjen e Familjes (Ligj nr. 4320, 14 Janar 1998)
Seksioni 1
“Në qoftë se një bashkëshort ose një tjetër anëtar i familjes, që jeton nën të njëjtën çati, i nënshtrohet dhunës në familje dhe, në qoftë se gjykata e magjistratëve që merret me çështjet civile njoftohet për këtë fakt nga personi apo zyra e prokurorit publik, gjykatësi, nisur nga natyra e aktit, mundet që me iniciativë të tij/saj të urdhërojë një ose më shumë nga masat e mëposhtme, siç ai apo ajo e gjykon të përshtatshme. Bashkëshorti/ja në shkelje të ligjit mund të urdhërohet:
(a) të mos kryejë sjellje të dhunshme dhe kanosëse ndaj bashkëshortes/it tjetër apo fëmijëve (apo anëtarëve të tjerë të familjes që jetojnë nën të njëjtën çati),
(b) të largohet nga shtëpia e përbashkët dhe t’ia lërë atë bashkëshortes/it dhe fëmijëve, nëse ka, e të mos i afrohet shtëpisë ku jetojnë bashkëshortja/i dhe fëmijët, apo vendit të tyre të punës,
(c) të mos dëmtojë pasurinë e bashkëshortes/it (ose të fëmijëve apo të anëtarëve të tjerë të familjes që jetojnë nën të njëjtën çati),
(d) të mos shqetësojë bashkëshorten/in ose fëmijët (ose anëtaret e tjerë të familjes që jetojnë nën të njëjtën çati) nëpërmjet përdorimit të mjeteve të komunikimit,
(e) t’u dorëzojë çdo armë apo instrumente të tjera të ngjashme punonjësve të zbatimit të ligjit,
(f) të mos kthehet në shtëpinë e përbashkët për aq kohë sa është nën ndikimin e alkoolit apo të substancave të tjera intoksikuese ose të mos përdorë të tilla substanca në shtëpinë e përbashkët.
Masat e sipër-përmendura do të zbatohen për një periudhë jo më të gjatë se gjashtë muaj. Urdhri paralajmëron bashkëshorten/in në shkelje të ligjit se, në rast mosrespektimi të masave të marra, ai apo ajo do të arrestohet dhe dënohet me burg. Gjykatësi mund të urdhërojë pagesa të përkohëshme nisur nga standardi i jetesës së viktimës.
“Ankesat e bëra nën seksionin 1 nuk u nënshtrohen tarifave të gjykatës”
Seksioni 2
“Gjykata do t’i përcjellë një kopje të urdhrit të mbrojtjes zyrës së prokurorit publik. Zyra e prokurorit publik do të mbikqyrë zbatimin e urdhrit nëpërmjet agjencive të zbatimit të ligjit.
Në rast mosveprimi në përputhje me urdhrin e mbrojtjes, agjencia e zbatimit të ligjit do të kryejë një hetim me iniciativën e vet, pa pasur nevojë që viktima të bëjë denoncim, dhe ia përcjell dokumentet, pa vonesë, zyrës së prokurorit publik
Zyra e prokurorit publik hap proces në gjykatë ndaj një bashkëshorti/e që nuk respekton urdhrin e mbrojtjes. Vendi dhe zhvillimi me shpejtësi i seancës për këtë çështje bëhet në përputhje me dispozitat e Ligjit nr. 3005 mbi Procedurën e ndjekur në Çështjet in flagrante delicto.
Edhe në qoftë se vepra në fjalë përbën një shkelje më vete, bashkëshorti/ja që nuk respekton urdhrin e mbrojtjes do të dënohet nga 3 deri në 6 muaj burg.”
3. Zbatimi i Rregulloreve për Ligjin e Mbrojtjes së Familjes i datës 1 Mars 2008
71. Këto rregullore, të cilat janë hartuar për të ndihmuar zbatimin e Ligjit Nr. 4320, përcaktojnë masat që duhen marrë në lidhje me familjarët që ushtrojnë dhunë dhe procedurat dhe parimet që rregullojnë zbatimin e këtyre masave, me qëllim mbrojtjen e familjarëve që i nënshtrohen dhunës në familje.
B. Materiale përkatësse të së drejtës ndërkombëtare dhe të krahasuar
1. Pozicioni i Kombeve të Bashkuara në lidhje me dhunën në familje dhe diskriminimin ndaj grave
72. Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW), u miratua në vitin 1979 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe u ratifikua nga Turqia më 19 Janar 1986.
73. CEDAW e përkufizon diskriminimin ndaj grave si”... çdo dallim, përjashtim ose kufizim që bëhet mbi bazën e seksit e që ka për pasojë ose qëllim të kompromentojë ose të asgjësojë njohjen, gëzimin ose ushtrimin nga gratë, pavarësisht nga gjendja e tyre martesore, mbi bazën e barazisë së burrit dhe të gruas, të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në fushën politike, ekonomike, shoqërore, kulturore, civile, ose në çdo fushë tjetër.” Sa i takon detyrimit të Shteteve, Neni 2 i CEDAW siguron, për aq sa është relevante, sa më poshtë:
“Shtetet palë dënojnë diskriminimin e grave në të gjitha format, pranojnë të ndjekin me të gjitha mjetet e përshtatshme dhe pa vonesë, një politikë të eliminimit të diskriminimit ndaj grave dhe për këtë arsye zotohen:
...
(e) Të marrin të gjitha masat e përshtatshme për eliminimin e diskriminimit ndaj grave, të ushtruar nga ndonjë person, organizatë apo ndërmarrje;
(f) Të marrin të gjitha masat e përshtatshme, përfshirë legjislacionin, për ndryshimin ose shfuqizimin e ligjeve, rregulloreve, zakoneve dhe praktikave ekzistuese, të cilat përbëjnë diskriminim ndaj gruas;”
74. Komiteti për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (më tej “Komiteti i CEDAW) ka konstatuar se “dhuna për shkak të gjinisë është një formë diskriminimi që pengon seriozisht aftësinë e gruas për të gëzuar të drejtat dhe liritë në mënyrë të barabartë me burrat” e kësisoj ndalohet në bazë të Nenit 1 të CEDAW. Brenda kategorisë së përgjithshme të dhunës me bazë gjinore, Komiteti përfshin dhunën “si akt privat”[2] dhe “dhunën në familje”.[3] Për pasojë, dhuna me bazë gjinore krijon detyra për shtetet. Rekomandimi i Përgjithshëm Nr. 19 përcakton një katalog të këtyre detyrave. Ato përfshijnë një detyrë të Shteteve për “marrjen e të gjitha masave ligjore dhe çdo masë tjetër të domosdoshme për të siguruar mbrojtjen efektive të grave nga dhuna me bazë gjinore[4] përfshirë ndëshkimet penale, ekzistencën e mjeteve juridike civile dhe dispozitave kompensuese për mbrojtjen e gruas ndaj çdo lloj dhune.”[5] Në Komentet e saj Përfundimtare në raportin periodik të kombinuar, të katërt dhe të pestë (më tej “Komente Përfundimtare”), Komiteti CEDAW përsëriti se dhuna kundër gruas, përfshirë dhunën në familje, përbën një formë diskriminimi (shiko, CEDAW/C/TUR/4-5 dhe Corr.1, 15 Shkurt 2005, § 28).
75. Veç kësaj, në shpjegimet e tij të Rekomandimit të Përgjithshëm Nr. 19, Komiteti CEDAW u shpreh sa më poshtë:
“...6. Konventa në nenin 1 përkufizon diskriminimin ndaj gruas. Përkufizimi i diskriminimit përfshin dhunën me bazë gjinore, domethënë dhunën e drejtuar kundër një gruaje, sepse ajo është grua, apo dhunën që prek gratë në mënyrë joproporcionale. Ai përfshin veprimet që shkaktojnë dëm apo vuajtje fizike, mendore ose seksuale, kufizim dhe ndalime të tjera të lirisë. Dhuna me bazë gjinore mund të shkelë dispozita specifike të Konventës, pavarësisht nëse këto dispozita përmendin shprehimisht dhunën.
7. Dhuna me bazë gjinore që dëmton apo asgjëson gëzimin nga gratë të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore sipas të drejtës së përgjithshme ndërkombëtare apo në bazë të konventave të të drejtave të njeriut, është diskriminim në kuptimin e nenit 1 të Konventës.
Komente për nene specifike të Konventës
...
Nenet 2(f), 5 dhe 10(c)
11. Tradicionalisht, qendrimet që i konsiderojnë gratë të varura nga meshkujt apo që u veshin atyre role stereotipike, mbajnë gjallë praktika mjaft të përhapura të dhunës dhe shtrëngimit, të tilla si dhuna familjare dhe abuzimi, martesat e detyruara, vdekjet e prikës, sulmet me acid dhe rrethprerjen femërore. Të tilla paragjykime dhe praktika mund të justifikojnë dhunën me bazë gjinore si një formë e mbrojtjes ose kontrollit të gruas. Efekti i një dhune të tillë mbi integritetin fizik dhe mendor të gruas është që të mos u lejojë atyre gëzimin, ushtrimin dhe njohjen në mënyrë të barabartë të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Ndërsa ky koment ka të bëjë kryesisht me dhunën aktuale apo si kërcënim, pasojat themelore të këtyre formave të dhunës me bazë gjinore ndihmojnë në mbajtjen e grave në role të ndërvarura dhe kontribuojnë në nivelin e ulët të pjesëmarrjes së tyre në politike dhe në nivelin e tyre të ulët të edukimit, shprehive dhe mundësive të punësimit.”
76. Në çështjen A.T.kundër Hungarisë (vendim i datës 26 Janar 2005), ku kërkuesja kishte pohuar se bashkëshorti i saj sipas të drejtës zakonore dhe babai i dy fëmijëve të saj e kishte keqtrajtuar fizikisht dhe e kishte kërcënuar që nga viti 1998, komiteti i CEDAW i kërkoi Hungarisë të merrte masa “për garantimin e integritetit fizik dhe mendor të kërkueses dhe familjes së saj”, si dhe të siguronte që asaj t’i jepej një vendbanim i sigurt ku të jetonte me fëmijët e saj, dhe të përfitonte mbështetje për fëmijët, asistencë ligjore dhe kompensim në raport me dëmin e shkaktuar dhe shkeljen e të drejtave të saj. Komiteti i bëri Hungarisë edhe një numër rekomandimesh të përgjithshme për përmirësimin e mbrojtjes së gruas ndaj dhunës në familje, si krijimin e proceseve të efektshme hetimore, ligjore e gjyqësore, dhe rritjen e burimeve për trajtim dhe mbështetje.
77. Në çështjen Fatma Yıldırım kundër Austrisë (vendim i datës 1 Tetor 2007), që kishte të bënte me vrasjen e Znj. Yıldırım nga bashkëshorti i saj, Komiteti i CEDAW konstatoi se Shteti Palë kish shkelur detyrimet e tij të vigjilencës për mbrojtjen e Fatma Yıldırım-it. Prandaj, ai konkludoi se Shteti Palë kishte shkelur detyrimet e tij sipas nenit 2 (a) dhe (c) deri në (f), dhe nenit 3 të CEDAW të interpretuar në lidhje me nenin 1 të CEDAW dhe Rekomandimin e Përgjithshëm 19 të Komitetit dhe të drejtat përkatëse të së ndjerës Fatma Yıldırım për jetë dhe integritet fizik e mendor.
78. Deklarata e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas (1993), në nenin 4(c), i nxit Shtetet të “ushtrojnë vigjilencën e duhur për parandalimin, hetimin dhe, në përputhje me legjislacionin e brendshëm, për ndëshkimin e akteve të dhunës ndaj grave, qofshin këto akte të kryera nga Shteti apo nga persona private”.
79. Në raportin e tij të tretë, të datës 20 Janar 2006, për Komisionin e të Drejtave të Njeriut të Këshillit Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara (E/CN.4/2006/61), Relatori Special për dhunën ndaj grave shprehej se ekziston një rregull i të drejtës zakonore ndërkombëtare që “i detyron Shtetet të parandalojnë dhe t’u përgjigjen akteve të dhunës ndaj grave nëpërmjet ushtrimit të vigjilencës së duhur”.
2 Këshilli i Europës
80. Në Rekomandimin e tij Rec(2002)5 të datës 30 Prill 2002 për mbrojtjen e grave nga dhuna, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës deklaroi, inter alia, se Shtetet anëtare duhet të ndërtojnë, zhvillojnë dhe/ose përmirësojnë, sipas nevojës, politika kombëtare kundër dhunës bazuar në sigurinë dhe mbrojtjen maksimale të viktimave, mbështetjen dhe asistencën, përshtatjen e të drejtës penale dhe civile, përmes rritjes së ndërgjegjësimit të publikut, trajnimit të profesionistëve që përballen me dhunën ndaj grave dhe parandalimin e saj.
81. Komiteti i Ministrave rekomandoi, në mënyrë të veçantë, se Shtetet anëtare duhet të penalizojnë dhunën e rëndë ndaj grave, si dhunën seksuale dhe përdhunimin, abuzimin me cënueshmërinë e viktimave shtatzëna, të pambrojtura, të sëmura, me paaftësi fizike apo të pamundura për të qenë të pavarura, si dhe të penalizojnë shpërdorimin e detyrës nga autori i dhunës. Në Rekomandim thuhet, gjithashtu, se Shtetet anëtare duhet të sigurojnë që të gjitha viktimat e dhunës të jenë në gjendje të hapin proces gjyqësore, të parashikojnë dispozita që bëjnë të mundur hapjen e proceseve penale nga prokuroria, të inkurajojnë prokurorët që ta konsiderojnë dhunën ndaj grave dhe fëmijëve si një faktor rëndues apo vendimtar për të filluar ose jo një proces penal në interes të publikut, të sigurojnë atje ku është e nevojshme, marrjen e masave për mbrojtjen me efektivitet të viktimave nga kërcënimet dhe aktet e mundshme të hakmarrjes dhe të marrin masa specifike për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve gjatë procedurave.
82. Në lidhje me dhunën në familje, Komiteti i Ministrave rekomandoi se Shtetet Anëtare duhet të klasifikojnë të gjithë format e dhunës brenda familjes si shkelje penale dhe të parashikojnë mundësinë e marrjes së masave me qëllim që, inter alia, t’i mundësojnë gjyqësorit marrjen e masave të përkohshme për mbrojtjen e viktimave, të mos lejojnë autorët e dhunës të kontaktojnë, të komunikojnë apo t’i afrohen viktimës, të banojnë në një zonë të caktuar, të ndëshkojnë çdo mosrespektim të masave të vendosura mbi autorin e dhunës dhe të përcaktojnë një protokoll të detyrueshëm për zbatim nga shërbimet e policisë, ato mjekësore dhe sociale.
3. Sistemi Ndër-Amerikan
83. Në çështjen Velazquez-Rodriguez, Gjykata Ndër-Amerikane u shpreh se:
“Një akt i paligjshëm që shkel të drejtat e njeriut e që, fillimisht, nuk fajëson drejtpërsëdrejti Shtetin (për shembull, sepse është akt i një personi privat ose, sepse personi përgjegjës nuk është identifikuar ende) mund të çojë në përgjegjësi ndërkombëtare të shtetit, jo për shkak të aktit vetë, por për shkak të mungesës së vigjilencës së kërkuar për parandalimin e shkeljes apo për të reaguar ndaj saj, siç e kërkon Konventa.”[6]
84. Baza ligjore për mbajtjen e përgjegjësisë nga ana e Shtetit për akte private mbështetet tek mosveprimi i shtetit në përputhje me detyrën e tij për sigurimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, siç përcaktohet në nenin 1(1) të Konventës Amerikane të të Drejtave të Njeriut.[7] Jurisprudenca e Gjykatës Ndër-Amerikane e reflekton këtë parim duke bërë Shtetet ndërkombëtarisht përgjegjës, në mënyrë të përsëritur, për shkak të mungesës së ushtrimit të vigjilencës së duhur nga ana e tyre për parandalimin e shkeljes së të drejtave të njeriut, për hetimin dhe sanksionimin e autorëve të dhunës ose për sigurimin e kompensimeve të përshtatshme familjeve të viktimave.
85. Konventa Ndër-Amerikane për Parandalimin, Ndëshkimin dhe Çrrënjosjen e Dhunës kundër Grave 1994 (Belém do Pará Convention)[8] përcakton detyrat e shteteve në lidhje me çrrënjosjen e dhunës me bazë gjinore. Është i vetmi traktat shumë-palësh për të drejtat e njeriut që merret vetëm me dhunën kundër gruas.
86. Komisioni Ndër-Amerikan ka përqafuar qasjen e Gjykatës Ndër-Amerikane për përcaktimin e Përgjegjësisë shtetërore për veprimet dhe mosveprimet e individëve privatë. Në çështjen Maria Da Penha kundër Brazilit,[9] Komisioni konstatoi se paaftësia e Shtetit për të ushtruar vigjilencë për parandalimin dhe hetimin e një denoncimi për dhunë në familje përligji konstatimin e përgjegjësisë së Shtetit në bazë të Konventës Amerikane dhe Konventës së Belém do Pará-s. Gjithashtu, Brazili kishte shkelur të drejtat e kërkueses dhe kishte dështuar në përmbushjen e detyrave të tij (inter alia, në bazë të nenit 7 të Konventës së Belém do Pará-s që i detyron Shtetet të dënojnë çdo formë dhune kundër gruas), si rezultat i paaftësisë për të vepruar dhe tolerancës ndaj dhunës së ushtruar. Në mënyrë specifike, Komisioni u shpreh se:
“... toleranca nga ana e organeve të Shtetit nuk kufizohet vetëm tek kjo çështje; në të vërtetë, është fjala për një model të tërë sjelljeje. Tolerimi i një situate të tillë nga i gjithë sistemi i shërben veçse mbajtjes gjallë të rrënjëve dhe faktorëve psikologjikë, socialë dhe historikë që mbështesin dhe inkurajojnë dhunën kundër grave.
Nisur nga fakti që dhuna e ushtruar mbi Maria da Penha-n është pjesë e një skeme të përgjithshme neglizhence dhe mungese masash efektive nga ana e Shtetit për ndjekjen dhe dënimin e agresorëve, Komisioni mendon se kjo çështje ka të bëjë jo vetëm me dështimin për të përmbushur detyrimet në lidhje me ndjekjen dhe dënimin e agresorëve, por edhe me detyrimin për të parandaluar të tilla praktika poshtëruese. Ky mosefektivitet gjyqësor i përgjithshëm dhe diskriminues krijon gjithashtu një klimë që favorizon dhunën në familje, përderisa shoqëria nuk sheh asnjë provë të vullnetit të Shtetit, si përfaqësues i shoqërisë, për të marrë masa të efektshme për ndëshkimin e këtyre veprimeve.”[10]
4. Material i të Drejtës së Krahasuar
87. Në 11 Shtete anëtare të Këshillit të Europës, përkatësisht, Shqipëri, Austri, Bosnje dhe Hercegovinë, Estoni, Greqi, Itali, Poloni, Portugali, San Marino, Spanjë dhe Zvicër, autoriteteve u kërkohet të vazhdojnë ndjekjen penale për çështje të dhunës në familje edhe kur viktima e tërheq denoncimin.
88. Në 27 Shtete anëtare, përkatësisht në Andora, Armeni, Azerbaixhan, Belgjikë, Bullgari, Qipro, Republika Çeke, Danimarkë, Angli dhe Wells, Finlandë, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Francë, Gjeorgji, Gjermani, Hungari, Irlandë, Letoni, Luksemburg, Maltë, Moldavi, Holandë, Federata Ruse, Serbi, Sllovaki, Suedi, Turqi dhe Ukrainë, autoritetet kanë një masë diskrecioni për të vendosur nëse duhet hapur çështje penale ndaj autorëve të dhunës në familje. Një numër domethënës sistemesh ligjore bëjnë dallim midis krimeve të cilat hetohen mbi bazën e denoncimit të palës së dëmtuar (për të cilët denoncimi i viktimës është para-kusht) dhe krimeve të cilat hetohen ex-officio (zakonisht krime serioze, ndjekja e të cilave konsiderohet të jetë në interes të publikut).
89. Nga legjislacioni dhe praktika e 27 vendeve të sipër-përmendura, duket se vendimi për të proceduar penalisht në rastin e tërheqjes së denoncimit nga viktima, mbetet në diskrecionin e prokurorisë, e cila, për vazhdimin e ndjekjes penale, mban parasysh, në radhë të parë, interesin publik. Në disa juridiksione, si në Angli dhe Wells, për të vendosur nëse duhet hapur proces penal ndaj autorëve të dhunës në familje, prokurorisë (Crown Prosecution Service) i kërkohet të konsiderojë disa faktorë, përfshirë: rëndësinë e shkeljes; nëse dëmet e viktimës janë fizike apo psikologjike; nëse i akuzuari ka përdorur armë; nëse i akuzuari ka bërë ndonjë kërcënim që nga agresioni i kryer; nëse sulmi ka qenë i planifikuar nga i akuzuari; ndikimi (përfshirë edhe atë psikologjik) tek secili nga fëmijët që jetojnë në shtëpi; mundësitë që i akuzuari të bëjë sërish të njëjtën shkelje; kërcënimi në vazhdimësi i shëndetit dhe sigurisë së viktimës apo kujtdo tjetër që ka qenë i përfshirë apo mund të përfshihet; gjendja aktuale e marrëdhënies së viktimës me të akuzuarin; efekti mbi këtë marrëdhënie i vazhdimit të ndjekjes penale kundër dëshirës së viktimës; historiku i marrëdhënies, veçanërisht nëse ka patur raste të tjera dhune në të shkuarën; dhe historia penale e të akuzuarit, veçanërisht në lidhje me ndonjë rast dhune të kohëve të fundit. Për të vendosur mbi kursin që duhet ndjekur, vëmendje e drejtpërdrejtë i kushtohet sigurimit të drejtpeshimit të të drejtave të viktimës dhe të secilit prej fëmijëve, sipas nenit 2 dhe nenit 8.
90. Rumania duket të jetë i vetmi Shtet i cili e bazon vazhdimin e procesit penal, plotësisht dhe në të gjitha rrethanat, tek denoncimi i viktimës.
B. Raporte për dhunën në familje dhe gjendjen e grave në Turqi
1. Opinioni i Fondacionit të Strehës së Grave Çatia e Purpurt (Mor Çatı Kadın Sığınağı Vakfı) mbi zbatimin e Ligjit nr. 4320, datë 7 Korrik 2007
91. Sipas këtij raporti, Ligji nr. 4320 (shih paragrafin 70 më lart) nuk po zbatohet ende plotësisht. Vitet e fundit ka patur një rritje të “urdhrave të mbrojtjes” ose urdhrave të lëshuara nga gjykatat e familjes. Megjithatë, disa gjykata, në përgjigje të kërkesave të bëra ndaj tyre nga gra në gjendje rreziku për jetën, vazhdojnë t’i caktojnë seancat dëgjimore pas dy apo tre muajsh. Në këto rrethana, gjykatësit dhe prokurorët e trajtojnë një veprim ligjor të ndërmarrë në bazë të Ligjit 4320 si të ishte një akt divorci, ndërkohë që qëllimi i ligjit është marrja e masave urgjente në favor të grave që kërkojnë mbrojtje për jetën e tyre. Pas lëshimit të urdhrit, gratë përballen me një numër të tërë problemesh në lidhje me zbatimin e tij.
92. Në dy vitet përpara nxjerrjes së Raportit, rreth 900 gra kishin bërë kërkesë pranë Mor Çatı dhe kanë bërë përpjekje të mëdha për vënien në zbatim të Ligjit nr. 4320, por vetëm 120 prej tyre ia kishin dalë mbanë. Mor Çatı ka identifikuar probleme serioze në lidhje me zbatimin e Ligjit nr. 4320. Në mënyrë të veçantë është konstatuar se dhuna në familje vazhdon të trajtohet me tolerancë nga komisariatet e se disa oficerë policie përpiqen të veprojnë si arbitër, mbajnë anën e burrit ose i propozojnë gruas të tërheqë denoncimin. Ka gjithashtu probleme serioze edhe për sa i takon zbatimit të urdhrit të lëshuar nga gjykata në bazë të Ligjit nr. 4320 ndaj bashkëshortit. Në rastin e disa grave që dëshironin të punonin me Mor Çatı, urdhërat nuk ishin zbatuar, pasi bashkëshortët e tyre ishin oficerë policie ose kishin marrëdhënie miqësore me punonjësit e policisë tek komisariati në fjalë.
93. Veç kësaj, ka patur vonesa të pajustifikueshme në nxjerrjen e urdhrave nga gjykatat. Kjo gjë është rezultat i qasjes së gjykatave ndaj çështjeve të dhunës në familje, duke i trajtuar ato si procedura divorci. Mendohet se pas këtyre vonesave ekziston dyshimi se gratë mund të kenë bërë denoncim përpara se të kenë pësuar dhunë. Pretendimet për keqpërdorim të Ligjit Nr 4320 nga gratë nuk janë korrekte. Përderisa barra ekonomike e shtëpisë bie thuajse 100% tek bashkëshorti, do të ishte e pamundur për një grua të kërkonte zbatimin e Ligjit nr. 4320, po qe se nuk përballej me një situatë të rrezikshme për jetën. Përfundimisht urdhrat në fjalë kanë përgjithësisht fushë të ngushtë veprimi ose nuk lëshohen fare nga gjykatat.
2. Raport studimor përgatitur nga Qendra e Informacionit dhe e Zbatimit të të Drejtave të Grave e Shoqatës së Avokatëve të Dijarbakırit (KA‑MER) për zbatimin e Ligjit Nr. 4320, datë 25 Nëntor 2005
94. Sipas këtij raporti, në Turqi tashmë sundon një kulturë dhune, gjë që ka bërë që dhuna të tolerohet në shumë fusha të jetës. Një studim mbi çështje të hapura në një gjykatë magjistratësh që merret me çështje civile (sulh hukuk mahkemesi) dhe tri gjykata civile (asliye hukuk mahkemesi) në Dijarbakır, identifikoi 183 çështje të hapura në bazë të Ligjit nr. 4320 që nga data e hyrjes në fuqi të ligjit në vitin 1988 deri në Shtator 2005. Në 104 nga këto çështje, gjykata urdhëroi masa të ndryshme, ndërsa në 79 çështjet e tjera gjykata ose vendosi se nuk kishte arsye për nxjerrje urdhri, ose e hodhi poshtë çështjen, ose vendosi se nuk kishte juridiksion për çështjen në fjalë.
95. Pavarësisht rëndësisë që ka problemi i dhunës në familje, denoncimet e bëra në bazë të këtij ligji ishin shumë të pakta, pasi, ose publiku nuk kishte ndërgjegjësimin e duhur në lidhje me të, ose niveli i besimit tek forcat e sigurisë ishte shumë i ulët në rajon. Problemet më të rëndësishme ishin shkaktuar nga vonesat në nxjerrjen e urdhrave të gjykatës dhe paaftësia e autoriteteve për mbikqyrjen dhe zbatimin e këtyre urdhrave.
96. Për më tepër, qendrimi negativ i oficerëve të policisë nëpër komisariate ndaj viktimave të dhunës në familje ishte një nga pengesat që nuk lejonte përdorimin e këtij ligji nga gratë. Gratë që i drejtoheshin policisë, pasi i ishin nënshtruar dhunës në familje, “përballen me qëndrime që priren ta konsiderojnë këtë problem si një çështje private familjare ku policia nuk ndërhyn.”
97. Ky raport bënte rekomandime për përmirësimin e zbatimit të Ligjit nr. 4320 dhe forcimin e mbrojtjes së viktimave të dhunës në familje.
3. Të dhëna statistikore të linjës së këshillimit në raste urgjence të KA-MER në Dijarbakır për periudhën nga 1 Gusht 1997 deri në 30 Qershor 2007
98. Ky raport i të dhënave statistikore u përgatit mbështetur në intervistat e realizuara me 2,484 gra. Rezulton që të gjitha të intervistuarat i ishin nënshtruar dhunës psikologjike dhe afërsisht 60% i ishin nënshtruar edhe dhunës fizike. Numri më i lartë i viktimave i përket grup-moshës 20-30 vjeç (43%). 57% e këtyre grave janë të martuara. Shumica e viktimave ishin analfabete ose me nivel të ulët arsimor. 78% e grave janë me origjinë kurde. 91% e viktimave që telefonuan linjën e këshillimit ishin nga Dijarbakıri. 85% e viktimave nuk kishin burime të pavarura të ardhurash.
4. Raporti i Amnesty International për vitin 2004 me titull “Turqia: Gratë përballë Dhunës në Familje”
99. Sipas këtij Raporti, të dhënat statistikore mbi nivelin e dhunës së ushtruar ndaj grave në Turqi, janë të kufizuara dhe të pasigurta. Megjithatë, duket se ekzistenca e një kulture dhune në familje i ka vendosur gratë në një rrezik të dyfishtë, pasi ato janë viktima të dhunës dhe, njëkohësisht, u mohohet aksesi efektiv në gjykatë. Veçanërisht të rrezikuara janë gratë e grupeve pa mbrojtje, që vijnë nga familje me të ardhura të pakta apo që u largohen konflikteve ose fatkeqësive natyrore. Në lidhje me këtë, është konstatuar që krimet ndaj grave në Turqinë jug-lindore kanë mbetur, në pjesën e tyre më të madhe, të pandëshkuara.
100. Është vënë re, gjithashtu, se mbrojtësit e të drejtave të grave luftojnë edhe ndaj qendrimeve të komunitetit, të cilat janë të tilla që shfaqin tolerancë ndaj dhunës kundër grave e që shpesh herë përqafohen edhe nga gjykatësit, zyrtarët e lartë të shtetit e opinion-bërësit në shoqëri. Edhe pasi reforma legjislative zhduku autorizimin ligjor për trajtim diskriminator, qendrimet që detyrojnë gratë të veprojnë konform një kodi të caktuar sjelljeje, kufizojnë zgjedhjet e tyre në jetë.
101. Raporti shprehet se, në çdo nivel të sistemit të drejtësisë penale, autoritetet nuk arrijnë t’u përgjigjen menjëherë ose rigorozisht ankesave të depozituara nga gratë për përdhunim, sulm seksual ose dhunë tjetër brenda familjes. Policia heziton të parandalojë apo hetojë rastet e dhunës në familje, përfshirë edhe vdekjet e dhunshme të grave. Prokurorët refuzojnë të nisin hetime për çështje që kanë të bëjnë me dhunën në familje ose të urdhërojnë marrjen e masave mbrojtëse për gra që rrezikohen nga familja e tyre apo komuniteti. Policia dhe gjykatat nuk sigurojnë që burrat, ndaj të cilëve është lëshuar urdhër gjykate, përfshirë edhe rastet me urdhër mbrojtjeje, t’u përmbahen atyre. Ata u krijojnë atyre lehtësira të padrejta në vendimet e marra, duke përdorur si argument “provokimin” nga ana e viktimës e duke sjellë provat më të pamundura e më pak të besueshme si të tilla.
102. Ka shumë barriera me të cilat përballen gratë që kanë nevojë t’i drejtohen gjykatës e u lipset mbrojtje nga dhuna. Shpesh punonjësit e policisë mendojnë se detyra e tyre është nxitja e grave që të kthehen në shtëpi e “të bëjnë paqe”, ndërkohë që lënë pa hetuar denoncimet e bëra nga gratë. Shumë gra, veçanërisht në zonat rurale, nuk janë në gjendje të bëjnë denoncim zyrtar, pasi po të largohen nga lagjia e tyre, gjenden nën vëzhgimin e rreptë të të tjerëve, kritikave të tyre e, në disa raste, mbi to ushtrohet edhe dhunë.
103. Për më tepër, edhe pse disa gjykata duket se kanë filluar zbatimin e reformave, diskrecioni që iu është lënë atyre, bën që autorët e dhunës në familje të trajtohen me një butësi të pajustifikueshme. Dënimet e dhëna për çështje të tilla shpesh reduktohen sipas diskrecionit të gjyqtarëve të cilët vazhdojnë të marrin në konsideratë “provokimin e rëndë” që kjo vepër penale u bën zakoneve, traditës apo moralit.
104. Në fund, ky Raport bën një numër rekomandimesh për Qeverinë Turke, komunitetin dhe autoritetet fetare në lidhje me adresimin e problemit të dhunës në familje.
5. Raporti kërkimor për Krimet e Nderit, përgatitur nga Projekti i Shoqatës së Avokatëve të Dijarbakırit Drejtësi për të Gjithë dhe Qendra e Informacionit dhe Zbatimit të të Drejtave të Grave
105. Ky raport u përgatit me qëllimin për të analizuar dimensionet juridike të fenomenit të të ashtuquajturëve “krime nderi”. U morën në analizë vendime të gjykatave të krimeve të rënda të Dijarbakırit dhe të gjykatave të fëmijëve. Qëllimi i studimit ishte identifikimi i raportit të këtyre vrasjeve të paligjshme referuar në gjykata, qëndrimi i gjyqësorit ndaj tyre, linjat e mbrojtjes së të akuzuarve në këto çështje, roli i strukturës sociale (d.m.th. këshillat e familjes dhe zakonet familjare) dhe arsyet e këtyre vrasjeve. Për këtë qëllim, u analizuan çështjet në gjykatat të krimeve të rënda të Dijarbakırit dhe në gjykatat e fëmijëve për periudhën midis vitit 1999 dhe 2005. Në këto shtatë vjet, u identifikuan 59 çështje për të cilat ishte marrë vendim. Në këto çështje ishin vrarë 71 persona, dhe ishin gjykuar 81 të akuzuar.
106. Sipas autorëve të studimit, në çështjet ku viktima ishte mashkull, u pa që të akuzuarit pretendonin gjatë mbrojtjes së tyre se viktima i kishte përdhunuar, kish abuzuar seksualisht, ose kishte rrëmbyer një të afërm të të akuzuarit, ose ishte përpjekur të hidhte në prostitucion një të afërm të të akuzuarit. Në çështjet ku viktima ishte femër, i akuzuari deklaronte se viktima ishte parë të fliste me burra të tjerë, kishte ushtruar prostitucionin ose kishte kryer tradhti bashkëshortore. Në 46 nga vendimet ishin zbatuar dispozita lehtësuese për provokim të pajustifikuar. Në 61 dënime ishin zbatuar dispozitat e nenit 59 të Kodit Penal Turk që parashikojnë zbutje diskrecionare të vendimit.
E DREJTA
I. PRANUESHMËRIA
107. Qeveria kundërshtoi pranueshmërinë e çështjes për dy arsye.
1. Mosrespektimi i rregullit të afatit gjashtëmujor sipas nenit 35 § 1 të Konventës
108. Qeveria parashtroi se kërkuesja nuk kishte respektuar afatin gjashtëmujor në lidhje me ngjarjet e ndodhura përpara vitit 2001. Qeveria argumentoi se ngjarjet e ndodhura në periudhën midis vitit 1995 dhe 2001 duhen konsideruar të kenë ndodhur jashtë afateve ligjore. Në qoftë se kërkuesja nuk ishte e kënaqur me vendimet e autoriteteve të brendshme për ngjarjet e ndodhura gjatë periudhës së përmendur, ajo duhet t’i kishte bërë kërkesë Komisionit ose, pas hyrjes në fuqi të Protokollit 11, Gjykatës, brenda gjashtë muajve pas çdo vendimi.
109. Kërkuesja pretendoi se e kishte depozituar kërkesën e saj brenda gjashtë muajve nga ngjarjet e kundërshtuara. Sipas saj, ngjarjet duhet të konsiderohen si një e tërë e jo të trajtohen më vete.
110. Gjykata rithekson se qëllimi i rregullit të afatit gjashtëmujor sipas nenit 35 § 1 të Konventës është të promovojë sigurinë e ligjit dhe të sigurojë trajtimin brenda një afati kohor të arsyeshëm të çështjeve të lidhura me zbatimin e Konventës (shih Kenar k. Turqisë, nr. 67215/01 (dec.), 1 Dhjetor 2005). Sipas praktikës gjyqësore të konsoliduar, atje ku mungojnë mjetet e brendshme ligjore, afati gjashtëmujor fillon nga data e veprës për të cilën paraqitet ankesë.
111. Në lidhje me këtë, Gjykata vë në dukej se nga data 10 Prill 1995, kërkuesja dhe nëna e saj kanë qenë viktimë e sulmeve dhe kërcënimeve të shumta të H.O.-s ndaj integritetit të tyre fizik. Këto akte dhune kanë rezultuar në vdekjen e nënës së kërkueses e i kanë shkaktuar kërkueses vuajtje të shumta dhe ankth. Ndërkohë që ka pasur intervale kohore midis ngjarjeve të kundërshtuara, Gjykata gjykon se dhuna e përgjithshme të cilës i janë nënshtruar për një periudhë të gjatë kohe kërkuesja dhe nëna e saj, nuk mund të shihen si episode të ndara individuale e, për këtë arsye, duhen konsideruar së bashku si një zinxhir ngjarjesh të lidhura mes tyre.
112. E parë në këtë mënyrë, Gjykata vë në dukje se kërkuesja e ka paraqitur kërkesën e saj brenda gjashtë muajve nga vrasja e nënës së saj nga H.O., ngjarje kjo që mund të konsiderohet si koha kur ajo u bë e vetëdijshme për mosefektshmërinë e mjeteve ligjore parashikuar nga e drejta e brendshme, si rezultat i dështimit të autoriteteve për të ndalur H.O.-n në kryerjen e mëtejshme të akteve të dhunshme. Meqenëse rrethanat nuk zbulojnë ndonjë të dhënë për vonesa nga ana e ankimueses në depozitimin e ankimimit së saj me t’u bërë e qartë se nuk pritej asnjë lloj zgjidhje në lidhje me ankesat e saj, Gjykata konsideron se data e vlefshme për qëllimet e afatit gjashtëmujor nuk duhet të jetë një datë më e hershme se, të paktën, 13 Marsi 2002 (shih paragrafin 54 më sipër). Në çfarëdolloj rasti, ish-bashkëshorti i kërkueses kishte vazhduar me kërcënimet ndaj jetës dhe mirëqenies së saj, ndaj dhe nuk mund të thuhet se dhuna e ushtruar në këtë mënyrë kishte marrë fund (shiko paragrafët 59-69 më sipër).
113. Në kontekstin specifik të kësaj çështje, rezulton se ankimuesja është ankuar brenda afatit gjashtë-mujor të kërkuar nga neni 35 § 1 i Konventës. Kësisoj, Gjykata hedh poshtë kundërshtimin fillestar të Qeverisë në këtë drejtim.
2. Mosshterimi i mjeteve të brendshme
114. Qeveria gjithashtu pretendoi se kërkuesja nuk kishte shterruar mjetet e brendshme, pasi ajo dhe nëna e saj i kishin tërhequr disa herë denoncimet e tyre duke shkaktuar mbylljen e procesit penal. Qeveria pretendoi se kërkuesja nuk kishte shfrytëzuar as mbrojtjen që i siguronte Ligji nr. 4320 e se nuk kishte lejuar prokurorinë t’i drejtohej gjykatës së familjes, meqenëse e kishte tërhequr denoncimin e saj. Ata parashtruan më tej se kërkuesja mund të kishte përfituar nga zgjidhjet që ofron e drejta administrative dhe civile, efektshmëria e të cilave është njohur nga Gjykata në çështje të mëparshme (shih Aytekin k. Turqisë, 23 Shtator 1998, Raporte të Gjykimeve dhe Vendimeve 1998-VII). Së fundi, mbështetur në gjykimet e Gjykatës në çështjet Ahmet Sadık k. Greqisë (15 Nëntor 1996, § 34, Raporte 1996-V) dhe Cardot k. Francës (19 Mars 1991, § 30, Seria A nr. 200), Qeveria u shpreh se kërkuesja nuk kishte arritur të ngrinte pretendimet e saj për diskriminim përpara autoriteteve të vendit, as në substancë, ndaj dhe ankesat në fjalë duheshin shpallur të papranueshme.
115. Kërkuesja pretendoi se kishte shterruar të gjitha mjetet ligjore të mundshme sipas të drejtës së brendshme. Ajo argumentoi se mjetet e brendshme kishin rezultuar joefektive përderisa autoritetet nuk arritën të mbronin jetën e nënës së saj dhe as të pengonin bashkëshortin e saj në keqtrajtimet që ai i kishte shkaktuar asaj dhe nënës së saj. Për sa i takon argumentit të Qeverisë se ajo nuk kishte shfrytëzuar zgjidhjet që ofronte Ligji nr. 4320, kërkuesja u shpreh se ligji në fjalë kishte hyrë në fuqi më 14 Janar 1998, ndërsa një pjesë e madhe e ngjarjeve kishin ndodhur përpara kësaj date. Përpara hyrjes në fuqi të Ligjit Nr. 4320 nuk kishte asnjë mekanizëm për mbrojtjen nga dhuna në familje. Gjithsesi, pavarësisht ankesave të saj të shumta pranë Prokurorisë, për mbrojtjen e jetës dhe mirëqenies së kërkueses dhe nënës së saj, nuk u mor asnjë nga masat mbrojtëse parashikuar nga Ligji 4320.
116. Gjykata vëren se çështja kryesore në lidhje me shterimin e mjeteve të brendshme është nëse kërkuesja nuk ka arritur të përdorë mjetet e brendshme të disponueshme sipas të drejtës së brendshme, veçanërisht ato që ofron Ligji nr. 4320, dhe nëse autoritetet e brendshme ishin të detyruara të hapnin proces penal ndaj bashkëshortit të kërkueses me gjithë tërheqjen e denoncimeve nga viktimat. Këto pyetje janë të lidhura ngushtë me çështjen e efektivitetit të mjeteve të brendshme për sigurimin e masave të mjaftueshme për mbrojtjen e kërkueses dhe nënës së saj nga dhuna në familje. Ndaj dhe Gjykata këto pyetje i bashkon me themelin e çështjes dhe do t’i trajtojë sipas neneve 2, 3 dhe 14 të Konventës (shiko, ndër autoritetet e tjera, Şemsi Önen k. Turqisë, no. 22876/93, § 77, 14 Maj 2002).
117. Mbështetur në sa u tha më sipër, Gjykata vëren se ankesa nuk është haptazi e pabazuar në kuptimin e nenit 35 § 3 të Konventës. Ajo vëren, më tej, se ankesa nuk është e papranueshme për ndonjë arsye tjetër. Prandaj, duhet të deklarohet e pranueshme.
II. PRETENDIMI PËR SHKELJEN E NENIT 2 TË KONVENTËS
118. Kërkuesja u ankua se autoritetet nuk kishin mundur të garantonin të drejtën e jetës së nënës së saj, e cila u vra nga bashkëshorti i saj, në shkelje të nenit 2 të Konventës, i cili lexon sa më poshtë:
“1. E drejta e çdo njeriu për jetën mbrohet me ligj. Vdekja nuk mund t’i shkaktohet askujt në mënyrë të qëllimshme, me përjashtim të rastit të zbatimit të një vendimi kapital të dhënë nga një gjykatë në rastin kur krimi ndëshkohet me këtë dënim nga ligji...”
A. Parashtrimet e palëve
1. Kërkuesja
119. Ankimuesja pohoi, që në fillim, se dhuna në familje ishte toleruar nga autoritetet e shoqëria dhe se autorët e dhunës gëzonin pandëshkueshmëri. Në lidhje me këtë ajo vuri në dukje se, pavarësisht depozitimit prej saj të shumë ankesave penale në Zyrën Qendrore të Prokurorisë së Dijarbakırit, nuk ishte marrë asnjë nga masat mbrojtëse të parashikuara nga Ligji nr. 4320 për mbrojtjen e jetës dhe mirëqenies së saj dhe të nënës së saj. Përkundrazi, në një numër rastesh, autoritetet ishin përpjekur ta bindnin ankimuesen dhe nënën e saj të tërhiqnin denoncimin ndaj H.O.-s. Autoritet e vendit kishin qendruar fare pasivë përballë kërcënimeve për vdekje që bënte H.O., duke e lënë atë edhe nënën e saj në mëshirë të agresorit.
120. Kërkuesja vuri në dukje se, me anë të një kërkese të datës 27 shkurt 2002, nëna e saj i ishte drejtuar Zyrës Qendrore së Prokurorisë dhe kishte informuar autoritetet për kërcënimet me vdekje që i kishte bërë H.O. Megjithatë, Prokurori Publik nuk kishte bërë asgjë për mbrojtjen e jetës të së ndjerës. Sipas mendimit të ankimueses, fakti që autoritetet nuk i kishin marrë seriozisht ankesat e të ëmës ishte një tregues i qartë që dhuna në familje tolerohej nga shoqëria dhe autoritetet e vendit.
121. Kërkuesja pretendoi gjithashtu se, megjithëse H.O. ishte dënuar për vrasje, dënimi i caktuar për të nuk ishte i tillë që të kishte efekt ndalues dhe ishte në mënyrë të konsiderueshme më i lehtë se dënimi normal për veprën e vrasjes. Dhënia e një dënimi të butë kishte ardhur nga fakti që në parashtrimin e mbrojtjes së tij përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda, i pandehuri kishte pretenduar se nënën e saj e kishte vrarë për të mbrojtur nderin e tij. Ishte praktike e përgjithshme për gjykatat penale në Turqi që të jepnin dënime të zbutura për çështje që kishin të bënin me “krime nderi”; gjykatat penale ose jepnin dënime shumë të buta, ose nuk i dënonin fare autorët e këtyre krimeve.
2. Qeveria
122. Qeveria theksoi se autoritetet vendase kishin siguruar ndjekje të menjëhershme dhe konkrete të ankesave të bëra nga kërkuesja dhe nëna e saj. Për këtë gjë, menjëherë pas paraqitjes së ankesave, autoritetet i kishin regjistruar ato, kishin kryer ekzaminimet mjekësore, kishin marrë në pyetje dëshmitarët, kishin analizuar vendin e incidenteve dhe ankesat ua kishin përcjellë autoriteteve përgjegjëse ligjore. Kur kishte qenë e domosdoshme dhe në varësi të rrezikshmërisë të incidentit, agresori ish ndaluar nga policia dhe ishte dënuar nga gjykatat penale. Këto procedura ishin kryer brenda kohës më të shkurtër të mundur. Autoritetet ishin treguar të kujdesshme dhe të ndjeshme ndaj ankesave të bëra pa shfaqur asnjë lloj neglizhence.
123. Megjithatë, duke tërhequr denoncimet e tyre, kërkuesja dhe nëna e saj i kishin penguar autoritetet në ndjekjen e procedurave penale ndaj H.O.-s. e kështu kishin kontribuar në mosndëshkueshmërinë e gëzuar nga agresori. Në lidhje me këtë, nga dosja e çështjes nuk rezultonte që kërkuesja dhe nëna e saj t’i kishin tërhequr denoncimet e tyre si rezultat i ndonjë presioni të ushtruar mbi to, qoftë nga H.O. apo nga prokurori i ngarkuar me hetimin në fjalë. Ndjekja penale e agresorit varej nga denoncimet e bëra nga kërkuesja, pasi veprat penale në fjalë nuk kishin shkaktuar gjendje të sëmurë apo paaftësi për të punuar për 10 ditë a më shumë, në kuptimin e neneve 456 § 4, 457 dhe 460 të Kodit Penal. Gjithashtu, në shumicën e rasteve, gjykatat penale nuk e kishin dënuar H.O.-n, sepse provat kundër tij kishin qenë të pamjaftueshme. Në këto kushte, nuk mund të pritej që autoritetet të ndanin kërkuesen nga bashkëshorti i saj dhe të dënonin këtë të fundit ndërkohë që ata jetonin së bashku si një familje, pasi kjo gjë do të çonte në shkelje të së drejtës së tyre sipas nenit 8 të Konventës.
124. Në lidhje me kërkesën e paraqitur nga nëna e kërkueses në 27 Shkurt 2002, Qeveria pretendoi se përmbajtja e kësaj kërkese nuk ishte e ndryshme nga ato të mëparshmet dhe ishte e një natyre të përgjithshme. Nuk kishte fakte konkrete apo të dhëna specifike që tregonin se jeta e saj ishte në rrezik. Në kërkesën e saj nëna nuk kërkonte asnjë lloj mbrojtje, por thjesht kërkonte shqyrtim të shpejtë të ankesës së saj dhe ndëshkimin e bashkëshortit të kërkueses. Megjithatë, pas marrjes së kërkesës së datës 27 Shkurt 2002, autoritetet e regjistruan atë dhe mbajtën një seancë dëgjimore në 27 Maj 2002, e cila u pasua edhe nga seanca të tjera. Në fund, mbas vrasjes së nënës së kërkueses nga H.O., ky i fundit ishte dënuar e kishte marrë një ndëshkim të rëndë.
3. Interights
125. Duke iu referuar praktikës ndërkombëtare, Interights parashtroi se aty ku autoritetet e vendit nuk ushtrojnë vigjilencën e domosdoshme për parandalimin e ushtrimit të dhunës ndaj grave, përfshirë dhunën e ushtruar nga individë, ose të hetojnë, ndjekin penalisht dhe të ndëshkojnë një dhunë të tillë, për të tilla veprime përgjegjësia bie mbi Shtetin. Natyra jus cogens e të drejtës për të mos u torturuar dhe e të drejtës për jetën kërkon vigjilencë shembullore nga ana e Shtetit në lidhje me hetimin dhe ndjekjen penale të këtyre veprimeve.
126. Në kushtet e dhunës në familje, viktimat shpesh, përmes frikës apo kanosjes, detyrohen ose të mos e raportojnë krimin, ose të tërheqin denoncimin. Megjithatë, detyrimi për nxjerrjen e përgjegjësisë dhe për të siguruar ndëshkimin e agresorëve është i Shtetit, jo i viktimës. Praktika ndërkombëtare njeh një kategori të gjerë personash, jo vetëm viktima, që duhet të jenë të interesuar për raportimin dhe nisjen e hetimit në rastin e dhunës në familje. Për më tepër, praktika ndërkombëtare gjithmonë e më shumë propozon që aty ku ka të dhëna të mjaftueshme dhe ku konsiderohet në interes të publikut, ndjekja penale e autorëve të dhunës në familje duhet të vazhdojë edhe kur viktima tërheq denoncimin. Këto zhvillime tregojnë një tendencë për t’iu larguar domosdoshmërisë së pjesëmarrjes së viktimës, duke shkuar drejt lënies së përgjegjësisë për një ndjekje penale të efektshme plotësisht tek Shteti.
127. Ndërsa një vendim për të mos ndjekur penalisht një çështje të caktuar jo detyrimisht mund të përbëjë shkelje të detyrimit për vigjilencë, një ligj apo praktikë që automatikisht paralizon hetimin e dhunës në familje, apo ndjekjen penale të saj, është i tillë. Në lidhje me këto detyrime dhe duke iu referuar vendimit të Komitetit CEDAW për çështjen Fatma Yıldırım k. Austrisë (cituar në seksionin përkatës për të drejtën ndërkombëtare), u parashtrua se Shteti kishte jo vetëm detyrimin për të siguruar një kuadër ligjor të përshtatshëm, por edhe për të siguruar zbatim efektiv dhe ekzekutim të praktikës.
B. Vlerësimi i Gjykatës
1. Pretendimi i ankimueses për paaftësinë për të mbrojtur jetën e nënës së saj
a) Parimet përkatëse
128. Gjykata thekson se fjalia e parë e nenit 2 § 1 e detyron shtetin jo vetëm të pengojë marrjen e qëllimshme dhe të paligjshme të jetës, por edhe të marrë masat e nevojshme për të ruajtur jetët e personave që janë brenda juridiksionit të tij (shih L.C.B. k. Mbretëritë së Madhe, 9 qershor 1998, § 36, Raportet 1998-III). Kjo nënkupton një detyrë parësore nga shteti për të siguruar të drejtën për të jetuar, duke krijuar dispozita efektive penale për të penguar kryerjen e veprave penale kundrejt personit, të përforcuar me strukturën përkatëse të zbatimit të ligjit për parandalimin e shkeljes së këtyre dispozitave. Detyra për shtetin shtrihet në rrethana të caktuara dhe në detyrimin pozitiv mbi organet për të marrë masa parandaluese operative për të mbrojtur individin jeta e të cilit është në rrezik nga aktet penale të një individi tjetër (shih Osman k. Mbretërisë së Madhe, 28 tetor 1998, § 115, Raportet 1998-VIII, cituar në çështjen Kontrová k. Sllovakisë, nr. 7510/04, §49, ECHR 2007‑... (fragmente)).
129. Duke pasur parasysh vështirësitë në ushtrimin detyrave të policisë në shoqëritë moderne, paparashikueshmërinë e sjelljes njerëzore dhe përzgjedhjet operative që duhet të bëhen për sa i përket përparësive dhe burimeve, qëllimi i detyrimit pozitiv duhet të interpretohet në një mënyrë që nuk përbën barrë të pamundur ose jo përpjestimore mbi organet përkatëse. Si rezultat, jo çdo pretendim i rrezikut për jetën mund të interpretohet si një kërkesë e Konventës për organet kombëtare për ta parandaluar këtë rrezik. Në mënyrë që të krijohet një detyrim pozitiv është e nevojshme të vërtetohet se organet kombëtare ishin në dijeni, ose duhet të ishin vënë në dijeni të pranisë së një rreziku të vërtetë dhe të menjëhershëm për jetën e një personi të identifikuar nga aktet penale të një pale të tretë, dhe se ata nuk morën masa brenda objektit të kompetencave të tyre, të cilat, të gjykuara në mënyrë të arsyeshme, mund të pritej ta shmangnin këtë rrezik. Një tjetër element është nevoja për t’u siguruar se policia i ka ushtruar kompetencat e saj për të kontrolluar dhe për të parandaluar krimet në një mënyrë që e respekton plotësisht procesin e parashikuar, si dhe garancitë e tjera të cilat vendosin në mënyrë legjitime kufizime në objektin e veprimeve të ndërmarra prej tyre për hetimin e krimeve dhe për vendosjen e autorëve të krimeve para drejtësisë, përfshirë dhe garancitë e parashikuara në nenin 5 dhe 8 të Konventës (shih Osman, cituar më lart § 116).
130. Sipas mendimit të Gjykatës, në rastet kur ekziston pretendimi se organet kombëtare i kanë shkelur detyrimet e tyre pozitive për të mbrojtur të drejtën për të jetuar në kuadrin e detyrës së tyre përmendur më lart për parandalimin dhe dhënien fund veprave penale kundër personit, duhet të vërtetohet para Gjykatës dhe të pranohet prej saj se organet kanë pasur, ose duhet të kishin pasur dijeni në kohën e ekzistencës së një rreziku real apo të menjëhershëm për jetën e një individi, ose të disa individëve të identifikuar, nga veprat kriminale të një pale të tretë, dhe se ata nuk kishin marrë masat brenda objektit të kompetencave të tyre, të cilat, në një gjykim të arsyeshëm, mund të pritej ta shmangnin këtë rrezik. Më tej, duke pasur parasysh natyrën e të drejtës të mbrojtur nga neni 2, një e drejtë themelore në sistemin e Konventës, është e mjaftueshme për një kërkues të tregojë që organet nuk bënë gjithçka që mund të pritej të bëhej prej tyre në mënyrë të arsyeshme për shmangien e një rreziku të menjëhershëm ndaj jetës, për të cilin ata ishin në dijeni, ose duhet të ishin vënë në dijeni. Kjo është një çështje që mund të marrë përgjigje vetëm duke marrë parasysh të gjitha rrethanat në çdo rast specifik (po aty).
b) Zbatimi i parimeve të sipërpërmendura në çështjen në fjalë
i) Objekti i çështjes
131. Në përputhje me sa u shpjegua më lart, Gjykata do të përcaktojë nëse organet kombëtare i kanë realizuar detyrimet e tyre pozitive për marrjen e masave operative parandaluese për mbrojtjen e të drejtës për jetën të nënës së kërkueses. Në këtë aspekt, Gjykata duhet të përcaktojë nëse organet e dinin, ose duhet të ishin vënë në kohë në dijeni për praninë e rrezikut real dhe të menjëhershëm ndaj jetës së nënës së kërkueses nga veprimet penale të H.O.-së. Siç del prej parashtrimeve të palëve, një aspekt shumë i rëndësishëm në çështjen në fjalë është nëse organet vendase kanë shfaqur vëmendjen e duhur për të parandaluar dhunën kundër kërkueses dhe nënës së saj, në veçanti duke ndjekur masa penale ose masa të tjera të përshtatshme kundër H.O.-së, pavarësisht nga tërheqja e denoncimeve nga viktimat.
132. Gjithsesi, para se të trajtojë këtë çështje, Gjykata duhet të theksojë se çështja e dhunës në familje, e cila mund të marrë forma të ndryshme, duke shkuar nga dhunë fizike në dhunë psikologjike ose abuzim verbal, nuk mund të kufizohet në rrethanat e çështjes aktuale. Ky është një problem i përgjithshëm, që përbën shqetësim për të gjithë shtetet anëtare e që jo gjithmonë bëhet i dukshëm, pasi shpesh ndodh në kuadrin e marrëdhënieve personale apo në rrethe të mbyllura, dhe prej tij nuk preken vetëm gratë. Gjykata pranon se edhe burrat mund të jenë viktima të dhunës në familje e se, në fakt, edhe fëmijët janë shpesh viktima të këtij fenomeni në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Si rezultat, Gjykata do të marrë parasysh rëndësinë e këtij problemi ndërkohë që shqyrton çështjen në fjalë.
ii) Nëse organet vendase mund të kishin parashikuar një sulm vdekjeprurës nga H.O.-ja
133. Duke iu kthyer rrethanave të çështjes, Gjykata vëren se kërkuesja dhe bashkëshorti i saj, H.O., kishin një marrëdhënie problematike që në fillim të lidhjes së tyre. H.O.-ja përdorte dhunë ndaj ankimueses dhe, si rezultat, nëna e saj ndërhynte në marrëdhënien e tyre për të mbrojtur të bijën. Për pasojë, nëna e kërkueses u bë shënjestra e H.O.-s, i cili e fajësonte atë se ishte shkaku i problemeve të tyre (shih paragrafin 28 lart). Në këtë pikë, Gjykata e mendon të rëndësishme të theksojë disa ngjarje dhe reagime të organeve kombëtare:
(i) Më 10 prill 1995 H.O.-ja dhe A.O.-ja rrahën kërkuesen dhe nënën e saj, duke i shkaktuar dëmtime të rënda fizike, dhe i kërcënuan ato. Megjithëse kërkuesja dhe nëna e saj fillimisht bënë padi penale kundër kësaj ngjarjeje, proceset penale kundër H.O.-s dhe A.O.-s u mbyllën për shkak se viktimat e tërhoqën padinë (shih paragrafët 9-11 më lart);
(ii) Më 11 prill 1996 H.O. e rrahu përsëri kërkuesen, duke i shkaktuar asaj dëmtime kërcënuese për jetën. H.O.-ja u arrestua, ndërkohë që për të nisi një proces penal për dëmtime të rënda trupore. Gjithsesi, pas lirimit të H.O.-s, kërkuesja e tërhoqi ankesën e saj dhe akuzat kundër H.O.-s u rrëzuan (shih paragrafët 13-19 më lart);
(iii) Më 5 shkurt 1998 H.O.-ja e sulmoi kërkuesen dhe nënën e saj duke përdorur thikë. Të tre u dëmtuan rëndë, ndërkohë që prokuroi publik vendosi të mos ndiqte penalisht askënd për shkak se nuk kishte prova të pamjaftueshme (shih paragrafët 20 dhe 21 më sipër);
(iv) Më 4 mars 1998 H.O.-ja e përplasi kërkuesen dhe nënën e saj me makinë. Të dyja viktimave iu shkaktuan dëmtime të rënda trupore, ndërkohë që raporti mjekësor dëshmonte se kërkuesja ishte e paaftë për punë për shtatë ditë dhe se dëmtimet e nënës së saj ishin serioze për jetën. Menjëherë pas këtij incidenti, viktimat i kërkuan zyrës së prokurorit publik të merrte masa mbrojtëse lidhur me kanosjet për vrasje të bëra nga H.O.-ja dhe kërkuesja filloi proceset e divorcit. Hetimi i policisë për pretendimet e viktimave për kanosje për vrasje arriti në përfundimin se të dy palët kishin kërcënuar njëra-tjetrën dhe se nëna e kërkueses i kishte bërë këto kallëzime për të ndarë vajzën e saj nga H.O.-ja për arsye hakmarrje, dhe se ajo, po ashtu, kishte “harxhuar më kot” kohën e forcave të sigurisë. Kundër H.O.-s u nisën procese penale për kanosje për vrasje dhe vrasje në tentativë, por pas lirimit të H.O.-s (shih paragrafin 31 më lart) kërkuesja dhe nëna e saj i tërhoqën sërish ankesat e tyre. Këtë herë, megjithëse organet përkatëse i rrëzuan akuzat kundër H.O.-s për kanosje për vdekje dhe për dëmtimin e kërkueses, gjykata e krimeve të rënda e Dijarbakırit e dënoi H.O.-n me tre muaj burgim për dëmet që i kishte shkaktuar nënës së kërkueses, dënim i cili më pas u kthye në gjobë (shih paragrafët 23-36 më lart);
(v) Më 29 tetor 2001 H.O.-ja e goditi shtatë herë me thikë kërkuesen pas vizitës së kësaj të fundit tek e ëma. H.O.-ja u dorëzua në polici, duke pretenduar se e kishte sulmuar të shoqen gjatë një zënke të shkaktuar nga ndërhyrja e vjehrrës së tij në martesë. Pasi i morën deklaratë, oficerët e policisë e liruan H.O.-n. Pavarësisht nga kjo, nëna e kërkueses iu drejtua zyrës së prokurorit publik duke kërkuar ndalimin e H.O.-s dhe shtoi, po ashtu, se asaj dhe vajzës së saj i ishte dashur të tërhiqnin paditë në të shkuarën për shkak të kanosjeve me vrasje dhe presionit të ushtruar nga H.O-ja. Si rezultat, H.O.-ja u gjykua për goditje me thikë dhe u dënua me gjobë (shih paragrafët 37-44 më sipër);
(vi) Më 14 nëntor 2001 H.O.-ja e kërcënoi kërkuesen, por organet kombëtare nuk e ndoqën çështjen për shkak të mungesës së provave konkrete (shih paragrafët 45 dhe 46 më lart);
(vii) Më 19 nëntor 2001 nëna e kërkueses dërgoi një ankesë në zyrën e prokurorit publik, ku ankohej për kanosjet në vijim për vrasje dhe për ngacmimet nga H.O.-ja, i cili mbante me vete dhe armë zjarri. Sërish policia i mori deklaratë H.O.-s dhe e la atë të lirë, por Prokuroria Publike ngriti padi për kanosje me vrasje (shih paragrafët 47‑49).
(viii) Më vonë, më 27 shkurt 2002, nëna e kërkueses njoftoi zyrën e prokurorit publik se kanosjet e H.O.-s ishin intensifikuar dhe se jetët e tyre ishin në rrezik të menjëhershëm. Si rezultat, ajo i kërkoi policisë të merrte masa kundër H.O.-s. Policia mori deklaratë nga H.O.-ja dhe Gjykata e mori atë në pyetje për ngjarjen vetëm pas vrasjes së nënës së ankueses. H.O.-ja i mohoi paditë dhe u shpreh se ai nuk dëshironte që gruaja e tij të vizitonte nënën e saj, e cila bënte një jetë të shthurur (shih paragrafët 51-52 më lart).
134. Duke marrë parasysh ngjarjet e përshkruara më lart, duket se ka pasur një dhunë të përshkallëzuar ndaj kërkueses dhe nënës së saj nga H.O.-ja. Krimet e kryera nga H.O.-ja ishin mjaftueshmërisht të rënda dhe ekzistonte një kanosje e vazhduar ndaj shëndetit dhe sigurisë së viktimave. Gjatë shqyrtimit të historisë së marrëdhënies ishte e qartë që keqbërësi kishte një historik dhune në familje dhe, si rezultat, ekzistonte një rrezik domethënës për dhunë të mëtejshme.
135. Për më tej, situatat e viktimave kanë qenë të njohura për organet përkatëse. Nëna e kërkueses i kishte dërguar një kërkesë zyrës së prokurorisë publike të Dijarbakırit, duke deklaruar se jeta e saj ishte në rrezik të menjëhershëm, ku dhe i kërkonte policisë të ndërmerrte veprime kundër H.O.-s. Gjithsesi, reagimi i organeve kombëtare ndaj kërkesës së nënës së kërkueses u kufizua vetëm në marrjen e deklaratave nga H.O.-ja rreth pretendimeve të saj. Mesatarisht dy javë pas kësaj kërkese, më 11 mars 2002, H.O.-ja vrau nënën e kërkueses (shih paragrafin 54).
136. Duke pasur parasysh atë çfarë u tha më lart, Gjykata konstaton se organet kombëtare mund të kishin parashikuar një sulm vdekjeprurës nga H.O.-ja. Ndërkohë që Gjykata nuk mund të arrijë me siguri në përfundimin se gjërat do të kishin rrjedhur ndryshe dhe se vrasja nuk do të kishte ndodhur, nëse organet kombëtare do të kishin vepruar ndryshe, ajo kujton se paaftësia për të marrë masat e nevojshme, të cilat mund të kishin pasur mundësi reale të ndryshimit të përfundimit të ngjarjeve, ose të lehtësimit të dëmit të shkaktuar, është e mjaftueshme për të ngarkuar shtetin me përgjegjësi (shih E. dhe të tjerë k. Mbretërisë së Madhe, nr. 33218/96, § 99). Si rezultat, Gjykata më poshtë do të shqyrtojë nivelin në të cilin organet kombëtare i kanë marrë masat për të parandaluar vrasjen e nënës së kërkueses.
iii) Nëse organet përkatëse kanë dëshmuar gatishmërinë e nevojshme për të parandaluar vrasjen e nënës së kërkueses
137. Qeveria parashtron se sa herë që organet e prokurorisë fillonin procese penale kundër H.O.-s, atyre u duhej t’i përfundonin proceset, në përputhje me legjislacionin e brendshëm, pasi kërkuesja dhe nëna e saj i tërhiqnin ankesat. Sipas mendimit të Qeverisë, çdo ndërhyrje e mëtejshme nga organet përkatëse do të kishte çuar në shkelje të të drejtave të viktimave, të parashikuara në nenin 8. Kërkuesja shpjegoi se asaj dhe nënës së saj i ishte dashur të tërhiqnin ankesat për shkak të kanosjeve për vdekje dhe presionit të ushtruar nga H.O.-ja.
138. Gjykata vëren që në fillim se duket që nuk ka konsensus të përgjithshëm ndërmjet shteteve palë në lidhje me ndjekjen e proceseve penale kundër autorëve të krimit të dhunës në familje në rastet kur viktima i tërheq ankesat (shih paragrafët 87 dhe 88 më lart). Pavarësisht nga kjo, duket se pranohet nga organet përkatëse detyra nga ana e tyre për të gjetur një balancë ndërmjet të drejtave të viktimës të parashikuara nga neni 2, 3 dhe 8, për të vendosur për mënyrën e të vepruarit. Në këtë drejtim, pas shqyrtimit të praktikave në shtetet anëtare (shih paragrafin 89 më lart), Gjykata vëren se ka faktorë të caktuar, të cilët mund të merren parasysh ndërkohë që vendoset për ndjekjen, të tilla si:
- rrezikshmëria e veprës penale;
- nëse dëmtimet e viktimës janë fizike ose psikologjike;
- nëse autori i krimit ka përdorur armë ose jo;
- nëse autori i krimit ka bërë ndonjë kanosje që prej sulmit;
- nëse autori i krimit e ka planifikuar sulmin e fundit;
- efekti (duke përfshirë dhe efektin psikologjik) mbi fëmijët që jetojnë në familje; mundësitë që autori i veprës të kryejë një sulm tjetër;
- kërcënimin e vazhdueshëm për shëndetin dhe sigurinë e viktimës ose të ndokujt tjetër të përfshirë, ose që mund të ishte përfshirë;
- gjendjen aktuale të marrëdhënies së viktimës me autorin e veprës; mënyrën se si do ta ndikonte këtë marrëdhënie vazhdimi i procedimit kundër dëshirës së viktimës;
- historiku i marrëdhënies, veçanërisht nëse ka pasur shkelje të tjera në të shkuarën;
- dhe historiku i mëparshëm i gjendjes penale të autorit të krimit, veçanërisht në raste të mëparshme dhune.
139. Nga kjo praktikë, mund të dilet në përfundimin se sa më e rëndë të jetë vepra, ose sa më i madh të jetë rreziku për vepra të mëtejshme, aq më shumë të ngjarë ka që prokuroria të vazhdojë të veprojë në interesin e publikut, edhe në rast se viktima i tërheq ankesat e tij/saj.
140. Në lidhje me argumentin e Qeverisë se çdo përpjekje nga organet kombëtare për të ndarë kërkuesen nga bashkëshorti i saj do të çonte në shkelje të së drejtës së tyre për jetë familjare dhe, duke pasur parasysh se sipas ligjit turk nuk ekziston detyrimi për të vijuar me ndjekjen e çështjes në rastet kur viktima e tërheq padinë e saj dhe kur ajo nuk është objekt dëmtimesh që e bëjnë të pamundur për të punuar për dhjetë ose më shumë ditë, Gjykata do të shqyrtojë nëse organet kombëtare kanë drejtpeshuar të drejtat e viktimës të parashikuara në nenin 2 dhe të drejtat e parashikuara në nenin 8.
141. Në këtë pikë, Gjykata vëren se H.O.-ja ka përdorur dhunë që në fillim të marrëdhënies së tij me kërkuesen. Në mjaft raste, si kërkuesja dhe nëna e saj kanë vuajtur dëmtime fizike dhe kanë qenë objekt presioni psikologjik si pasojë e ankthit dhe frikës. Në disa sulme H.O.-ja ka përdorur armë vdekjeprurëse, të tilla si thikë ose automatik, dhe i kërcënonte shpesh për vdekje kërkuesen dhe nënën e saj. Duke pasur parasysh rrethanat e vrasjes së nënës së kërkueses, mund të thuhet, gjithashtu, se H.O.-ja e kishte planifikuar sulmin, pasi ai mbante me vete një thikë dhe një armë, dhe se kishte ardhur rrotull shtëpisë së viktimës dhe në raste të tjera përpara sulmit (shih paragrafët 47 dhe 54 më lart).
142. Nëna e kërkueses u bë objekt për shkak të përfshirjes së saj të prezumuar në marrëdhënien e çiftit. Po ashtu, edhe fëmijët e çiftit mund të konsiderohen si viktima për shkak të efekteve psikologjike të dhunës së vazhdueshme në familje. Siç u theksua më lart, në rastin në fjalë, dhuna e mëtejshme ishte jo vetëm e mundur, por edhe e parashikueshme, duke pasur parasysh sjelljen e dhunshme dhe të dhënat penale të H.O.-s, kanosjen e tij të vazhdueshme ndaj shëndetit dhe sigurisë së viktimave dhe historikun e dhunës në marrëdhënie (shih paragrafët 10, 13, 23, 37, 45, 47 dhe 51 më lart).
143. Sipas mendimit të Gjykatës, nuk rezulton se organet vendore i kanë marrë në shqyrtim në mënyrë të mjaftueshme faktorët e sipërpërmendur, ndërkohë që vendosnin vazhdimisht të ndërprisnin proceset penale kundër H.O.-s. Përkundrazi, organet kombëtare duket si i kanë dhënë peshë ekskluzive nevojës për mosndërhyrje në atë çfarë ata e konsiderojnë si “jetë familjare” (shih paragrafin 123 më lart). Për më tepër, nuk ka tregues që organet përkatëse i kanë shqyrtuar motivet që qëndronin pas tërheqjes së ankesave. Kjo ka ndodhur pavarësisht nga deklarimi i nënës së kërkueses në prokurorinë publike të Dijarbakırit se ajo dhe e bija i kishin tërhequr ankesat për shkak të kanosjeve për vrasje dhe presionit të ushtruar mbi to nga H.O.-ja (shih paragrafin 39 më lart). Po ashtu, të bën përshtypje fakti se viktimat i tërhoqën paditë kur H.O.-ja ishte në gjendje të lirë ose pas lirimit të tij nga arresti (shih paragrafët 9-12, 17-19, 31 dhe 35 më sipër).
144. Në lidhje me argumentin e qeverisë se ndërhyrjet e mëtejshme nga organet kombëtare do të kishin çuar në shkelje të të drejtave të viktimës, sipas nenit 8 të Konventës, Gjykata kujton vendimin e saj në një çështje të ngjashme lidhur me dhunën në familje (shih Bevacqua dhe S. k. Bullgarisë, nr. 71127/01, § 83, 12 qershor 2008), ku ajo u shpreh se pikëpamja e organeve kombëtare se nuk nevojitej asnjë lloj asistence, pasi mosmarrëveshja lidhej me një “çështje private”, ishte e papajtueshme me detyrimet e tyre pozitive për të siguruar gëzimin e të drejtave të kërkueses. Për më tepër, Gjykata thekson se, në disa rrethana, ndërhyrja e organeve kombëtare në jetën familjare të individëve mund të jetë e nevojshme për të mbrojtur shëndetin dhe të drejtat e të tjerëve ose për të parandaluar kryerjen e akteve penale (shih, K.A. dhe A.D. k. Belgjikës, nr. 42758/98 dhe 45558/99, § 81, 17 shkurt 2005). Niveli i lartë i rrezikshmërisë për nënën e kërkueses në çështjen në fjalë e bënin këtë ndërhyrje nga organet përkatëse të nevojshme.
145. Gjithsesi, Gjykata vëren me keqardhje se hetimet penale për çështjen në fjalë vareshin në mënyrë strikte nga ndjekja e ankesave të kërkueses dhe nënës së saj, bazuar në dispozitat e legjislacionit të brendshëm në fuqi në atë kohë, pra bazuar në nenin 456 § 4, 457 dhe 460 të Kodit Penal tashmë të shfuqizuar, i cili i pengonte organet e prokurorisë të vijonin me hetimet penale, pasi vepra penale në fjalë nuk kishte çuar në sëmundje ose paaftësi për punë për dhjetë ditë ose më shumë (shih paragrafin 70 më lart). Gjykata vëren se zbatimi i dispozitave të sipërpërmendura dhe paaftësia e vazhdueshme e organeve të brendshme për të vijuar me procese penale kundër H.O.-s i mohoi gëzimin e jetës dhe sigurimin e saj nënës së kërkueses. Me fjalë të tjera, kuadri legjislativ në fuqi në atë kohë, në veçanti kërkesa për sëmundje ose paaftësi për punë për minimumi dhjetë ditë, nuk i plotëson kërkesat e brendshme të detyrimit pozitiv të shtetit për të përcaktuar dhe për të zbatuar efektivisht një sistem që i dënon të gjitha format e dhunës në familje dhe që ofron garanci të mjaftueshme për viktimat. Si rezultat, Gjykata është e mendimit se, duke pasur parasysh rrezikshmërinë e krimeve të kryera nga H.O.-ja në të shkuarën, organet kombëtare duhet të kishin qenë në gjendje të zhvillonin procese penale si çështje të interesit publik, pavarësisht nga tërheqja e ankesës nga viktimat (për këtë pikë shih Rekomandimin (2002)5 e Komitetit të Ministrave, §§ 80-82 më sipër).
146. Duke e lënë mënjanë kuadrin legjislativ që pengon mbrojtjen efektive të viktimave të dhunës në familje, Gjykata duhet të shqyrtojë, po ashtu, nëse organet kombëtare kanë dëshmuar gatishmërinë e duhur për të mbrojtur të drejtën e jetës së nënës së kërkueses përmes rrugëve të tjera.
147. Për këtë pikë, Gjykata vëren se, pavarësisht ankesave të së ndjerës që H.O.-ja e kishte ngacmuar, i kishte shkelur privacinë duke ardhur rrotull shtëpisë së saj ndërkohë që mbante me vete thika dhe armë (shih paragrafin 47 më lart), policia dhe organet përgjegjëse dështuan si në mbajtjen në arrest të H.O.-s, edhe në marrjen e masave të tjera të nevojshme lidhur me pretendimin se ai mbante me vete një armë zjarri dhe se me atë kishte realizuar kanosje të dhunshme (shih Kontrová, cituar më lart, § 53). Ndërkohë që Qeveria parashtron se nuk kishte prova konkrete që jeta e nënës së viktimës ishte në rrezik të menjëhershëm, Gjykata vëren se, në fakt, nuk duket që organet të kenë vlerësuar kanosjen e ushtruar nga H.O.-ja dhe arriti në përfundimin se ndalimi i tij, në këto rrethana, ishte masë jo e përpjesshme; për më tepër, organet kombëtare nuk arritën ta trajtonin fare këtë çështje. Në çdo rast, Gjykata do të theksonte se në rastet e dhunës në familje, të drejtat e ushtruesve të dhunës nuk mund të kenë epërsi mbi të drejtat (e njeriut) e viktimës për të jetuar dhe për integritet fizik dhe mendor (shih çështjen Fatma Yıldırım k. Austrisë dhe A.T. k. Hungarisë; vendimet e Komitetit të CEDAW, të cilat të dyja citohen më lart).
148. Më tej, në kuadrin e detyrimit pozitiv të shtetit për marrjen e masave operative parandaluese për mbrojtjen e një individi, jeta e të cilit është në rrezik, mund të pritej që organet kombëtare, duke qenë përballë një të dyshuari të njohur për të shkuarën e tij të kryerjes së akteve të dhunshme, të merrnin masa të posaçme në përputhje me rëndësinë e situatës me qëllim mbrojtjen e nënës së kërkueses. Për këtë qëllim, prokuroria vendore ose gjyqtari në Gjykatën e Magjistratëve mund të kishin urdhëruar me iniciativën e tij/saj një ose më shumë masa mbrojtëse të përmendura në seksionet 1 deri në 2 të Ligjit nr. 4320 (shih paragrafin 70 më lart). Ata mund të kishin lëshuar, po ashtu, një urdhër ndalimi që e ndalonte H.O.-n të kontaktonte, komunikonte, t’i afrohej nënës së kërkueses, apo të shkonte në zona të caktuara (për këtë pikë shih Rekomandimin Rec(2002)5 të Komitetit të Ministrave, § 82 më lart). Në fakt, në përgjigje të kërkesave të përsëritura të nënës së kërkueses për mbrojtje, policia dhe Gjykata e Magjistratëve vetëm sa i morën deklarata H.O.-s dhe e liruan atë (shih paragrafët 47-52 më lart). Ndërkohë që organet ishin pasive për thuajse dy javë, përveç marrjes së deklaratës, H.O.-ja e qëlloi për vdekje nënën e kërkueses.
149. Në këto rrethana, Gjykata arrin në përfundimin se organet kombëtare nuk mund të konsiderohen se kanë treguar vigjilencën e duhur për situatën. Si rezultat, organet kombëtare nuk e përmbushën detyrimin e tyre për të mbrojtur të drejtën e jetës së nënës së ankimueses në kuptimin e nenit 2 të Konventës.
2) Efektiviteti i hetimeve penale për vrasjen e nënës së kërkueses
150. Gjykata thekson se detyrimet pozitive të parashikuara në fjalinë e parë të nenit 2 të Konventës kërkojnë në mënyrë të nënkuptuar ekzistencën e një sistemi të efektshëm dhe të pavarur gjyqësor, me anë të së cilit mund të përcaktohet shkaku i vdekjes dhe të dënohen palët fajtore (shih, mutatis mutandis, Calvelli dhe Ciglio k. Italisë, [GC], nr. 32967/96, ECHR 2002, § 51). Qëllimi themelor i këtij hetimi është sigurimi i zbatimit efektiv të së drejtës së brendshme, e cila mbron të drejtën për të jetuar dhe, në ato raste kur përfshihen agjentët ose organet shtetërore, sigurimi i përgjegjshmërisë për vdekjet e shkaktuara nën përgjegjësinë e tyre (shih Paul dhe Audrey Edwards, cituar më lart, §§ 69 dhe 71). Kërkesa për të reaguar menjëherë dhe për përshpejtim të arsyeshëm është e nënkuptuar në kuadrin e një hetimi efektiv brenda kuptimit të nenit 2 të Konventës (shih Yaşa k. Turqisë, 2 shtator 1998, §§ 102‑104, Raporte 1998-VI; Çakıcı k. Turqisë [GC], nr. 23657/94, §§ 80-87 dhe 106, ECHR 1999-IV). Duhet të pranohet se mund të ketë pengesa ose vështirësi, që e pengojnë ecurinë e hetimit në një situatë të caktuar. Gjithsesi, një përgjigje e menjëhershme nga organet përkatëse për hetimin e përdorimit të forcës vdekjeprurëse mund të konsiderohet, përgjithësisht, si e domosdoshme për ruajtjen e besimit publik, për respektimin e shtetit të së drejtës dhe për parandalimin e çdo shfaqje tolerance ndaj veprimeve të paligjshme (shih Avşar k. Turqisë, nr. 25657/94, § 395, ECHR 2001-VII (fragmente)).
151. Gjykata vëren se është kryer në të vërtetë një hetim gjithëpërfshirës nga organet përkatëse lidhur me rrethanat e vrasjes së nënës së ankimueses. Pavarësisht nga kjo, megjithëse H.O.-ja u gjykua dhe u dënua për vrasje dhe për armëmbajtje pa leje nga Gjykata e Krimeve të Rënda e Dijarbakırit, proceset gjyqësore janë ende pezull para Gjykatës së Kasacionit (shih paragrafët 57 dhe 58 më lart). Si rezultat, proceset penale në fjalë, të cilat kanë zgjatur më shumë se gjashtë vjet, nuk mund të përshkruhen si përgjigje e menjëhershme nga organet kombëtare për hetimin e vrasjes me dashje, kur autori i krimit e ka pranuar vetë krimin.
3) Përfundimi
152. Në kuadrin e asaj çfarë u shpjegua më lart, Gjykata është e mendimit se dështimet e sipërpërmendura e bënë përdorimin e mjeteve efektive ligjore penale dhe civile njëlloj joefektive në rrethanat në fjalë. Si rrjedhojë, Gjykata e rrëzon kundërshtimin paraprak të Qeverisë (shih paragrafin 114 më lart), bazuar në mos-shterim të këtyre mjeteve efektive ligjore.
153. Për më tepër, Gjykata arrin në përfundimin se sistemi i të drejtës penale, siç është zbatuar në çështjen në fjalë, nuk kishte efekt të përshtatshëm pengues për sigurimin e parandalimit efektiv të akteve të paligjshme të kryera nga H.O.-ja. Pengesat e shkaktuara nga legjislacioni dhe paaftësia për të përdorur mjetet e disponueshme e cënuan efektin pengues të sistemit ligjor në fuqi dhe të rolit që kërkohej të luhej prej tij në parandalimin e shkeljes së të drejtës së nënës së kërkueses për të jetuar, siç mishërohet në nenin 2 të Konventës. Gjykata thekson në këtë pikë se, në momentin kur situata iu bëhet e ditur, organet kombëtare nuk mund të bazohen në qëndrimin e viktimës për të justifikuar paaftësinë e tyre për të marrë masat e nevojshme, të cilat mund të parandalonin mundësinë që një agresor të realizonte kanosjet e tij ndaj integritetit fizik të viktimës (shih Osman K. Mbretërisë së Madhe, cituar më lart, § 116). Si rezultat, ka patur shkelje të nenit 2 të Konventës.
III. PRETENDIMI PËR SHKELJEN E NENIT 3 TË KONVENTËS
154. Kërkuesja parashtroi se ajo kishte qenë disa herë objekt dhune, dëmtimi dhe kanosjesh për vrasje, por organet përkatëse ishin treguar neglizhente ndaj situatës së saj, që i kish shkaktuar dhimbje dhe frikë në shkelje të nenit 3 të Konventës, i cili parashikon se:
“Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës ose dënimeve apo trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.”
A. Parashtrimet e palëve
155. Kërkuesja pretendon se dëmtimet dhe ankthi që ka kaluar si rezultat i dhunës së ushtruar mbi të nga bashkëshorti kishte kaluar në torturë, brenda kuptimit të nenit 3 të Konventës. Pavarësisht nga dhuna e vazhdueshme dhe kërkesat e saj të vazhdueshme për ndihmë, organet kombëtare kishin dështuar në mbrojtjen e saj nga bashkëshorti. Situata ishte e tillë sikur dhuna të ishte ushtruar nën mbikëqyrjen e shtetit. Mungesa e ndjeshmërisë dhe e tolerancës, e dëshmuar nga organet kombëtare përballë situatës së dhunës në familje, e kanë bërë kërkuesen të ndihej e pavlerë, e pashpresë dhe e brishtë.
156. Qeveria u shpreh se tërheqja e ankesave të kërkueses dhe mosbashkëpunimi i saj me organet kombëtare i kishin ndaluar këto të fundit nga vijimi me ndjekjen penale kundër bashkëshortit të saj. Qeveria vijon me tej se, bazuar në mjetet e disponueshme ligjore sipas parashikimeve të Ligjit nr. 4320, kërkuesja mund të kishte kërkuar strehim në një nga strehëzat e ndërtuara për të mbrojtur gratë. Këto strehëza ishin ndërtuar si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe organizatave jo qeveritare. Në këtë aspekt, kërkuesja mund të kishte bërë kërkesë për pranim në Drejtorinë e Shërbimeve Sociale dhe Agjencinë e Mbrojtjes së Fëmijëve për t’u strehuar në njërën nga strehëzat. Adresat e këtyre strehëzave ishin sekrete dhe ato mbroheshin nga organet përkatëse.
157. Interights pohoi që shteteve u kërkohet të ndërmarrin veprime të arsyeshme për ndalimin menjëherë të keqtrajtimit, si nga aktorë publikë dhe nga ato privatë, gjë për të cilin ata janë në dijeni ose duhet të ishin në dijeni. Duke pasur parasysh natyrën jo shumë të dukshme të dhunës në familje dhe cënushmërinë e veçantë të grave, të cilat shpesh kanë frikë ta raportojnë dhunën, parashtrohet se shteteve u kërkohet të jenë më vigjilentë ndaj rasteve të tilla.
B. Vlerësimi i Gjykatës
1. Parimet e zbatueshme
158. Gjykata thekson se keqtrajtimi duhet të arrijë një nivel minimal ashpërsie nëse duhet të mbetet në kuadrin e nenit 3. Vlerësimi i këtij minimumi është relativ: ky vlerësim varet nga të gjitha rrethanat e çështjes, të tilla si natyra dhe konteksti i trajtimit, kohëzgjatja e tij, efektet fizike dhe mendore dhe, në disa raste, seksi, mosha dhe gjendja shëndetësore e viktimës (shih Costello‑Roberts k. Mbretërisë së Bashkuar, 25 mars 1993, § 30, Seritë A nr. 247‑C).
159. Në lidhje me çështjen nëse shteti mund të deklarohet përgjegjës sipas nenit 3 për keqtrajtimin e shkaktuar mbi persona nga individë privatë, Gjykata kujton se detyrimi për Palët e Larta Kontraktuese, sipas nenit 1 të Konventës, për t’i siguruar gjithkujt, brenda juridiksionit të tyre, të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Konventë, të marra së bashku me nenin 3, u kërkon Shteteve të marrin masat e përcaktuara për të siguruar që individët, brenda juridiksionit të tyre, nuk janë objekt torture, trajtimi ose dënimi çnjerëzor apo poshtërues, përfshirë edhe keqtrajtimet e administruara nga individët privatë (shih, mutatis mutandis, H.L.R. k. Francës, 29 prill 1997, § 40, Raportet 1997‑III). Fëmijët dhe individët e tjerë të cenueshëm janë veçanërisht objekt i mbrojtjes nga shteti, në formën e pengesës efektive, përballë shkeljeve të tilla të rënda të integritetit personal (shh A. k. Mbretërisë së Bashkuar, 23 shtator 1998, § 22, Raportet 1998‑VI).
2. Zbatimi i parimeve të sipërpërmendura në çështjen në fjalë
160. Gjykata është e mendimit se kërkuesja mund të konsiderohet se është pjesë e kategorisë së “individëve të cënueshëm”, të cilët kanë të drejtë të gëzojnë mbrojtje nga shteti (shih, A. k. Mbretërisë së Madhe, cituar më lart, § 22). Në lidhje me këtë, Gjykata vëren dhunën e vuajtur nga kërkuesja në të shkuarën, kanosjet e drejtuara nga H.O.-ja pas lirimit të tij nga burgu, frikën e përjetuar prej saj për shkak të dhunës së mëtejshme, si dhe origjinën e saj sociale, përkatësisht situatën delikate të grave në pjesën juglindore të Turqisë.
161. Gjykata vëren, po ashtu, se dhuna e vuajtur nga kërkuesja në formën e dhunës fizike dhe presionit psikologjik ishte mjaftueshmërisht e rëndë për t’u kategorizuar si keqtrajtim brenda kuptimit të nenit 3 të Konventës.
162. Për pasojë, Gjykata duhet të përcaktojë më tej nëse organet kombëtare i kanë marrë të gjitha masat e arsyeshme për të parandaluar rishfaqjen e sulmeve të dhunshme ndaj integritetit fizik të kërkueses.
163. Ndërkohë që kryen këtë analizë dhe duke pasur parasysh se ajo bën interpretimin përfundimtar autoritativ të të drejtave dhe lirive të përcaktuara në seksionin I të Konventës, Gjykata do të vlerësojë nëse organet kombëtare kanë marrë ose jo parasysh në mënyrë të mjaftueshme, parimet që rrjedhin nga vendimet mbi çështje të ngjashme, pavarësisht se ato lidhen me shtete të tjera.
164. Më tej, në interpretimin e dispozitave të Konventës dhe objektin e detyrimit të shtetit në çështje specifike (shih, mutatis mutandis, Demir dhe Baykara k. Turqisë [GC], nr. 34503/97, §§ 85 dhe 86, 12 nëntor 2008) Gjykata do të kërkojë, po ashtu, të gjejë çfarëdolloj konsensusi apo vlera të përbashkëta që dalin nga praktikat e shteteve evropiane dhe instrumentet e specializuara ndërkombëtare, të tilla si CEDAW, duke i kushtuar vëmendje evoluimit të normave dhe parimeve në të drejtën ndërkombëtare nëpërmjet zhvillimeve të tjera, të tilla si Konventa Belém do Pará, e cila parashikon specifikisht detyrat e shtetit në lidhje me çrrënjosjen e dhunës gjinore.
165. Gjithsesi, nuk është roli i Gjykatës të zëvendësojë organet kombëtare dhe të përzgjedhë në vend të tyre mes gamës së gjerë të masave që mund të merren për të siguruar përputhshmërinë me detyrimet pozitive sipas nenit 3 të Konventës (shih, mutatis mutandis, Bevacqua dhe S. k. Bullgaria, cituar më lart, § 82). Për më tepër, në bazë të nenit 19 të Konventës dhe bazuar në parimin që Konventa synon të garantojë të drejta jo teorike apo të pazbatueshme, por të drejta praktike dhe efektive, Gjykata duhet të sigurojë që shteti e realizon plotësisht detyrimin e tij për të mbrojtur të drejtat e personave nën juridiksion e tij (shih çështjen Nikolova dhe Velichkova k. Bullgarisë, nr. 7888/03, § 61, 20 dhjetor 2007).
166. Duke iu kthyer sërish shqyrtimit të fakteve, Gjykata vëren se organet kombëtare, përkatësisht policia dhe prokuroria publike, nuk kanë qendruar plotësisht pasivë. Pas çdo incidenti që përfshinte dhunë, kërkuesja është dërguar për ekzaminim mjekësor dhe ndaj bashkëshortit të saj janë nisur procese penale. Policia dhe prokuroria e kanë marrë në pyetje H.O.-n në lidhje me aktet e tij kriminale, e kanë arrestuar atë në dy raste, e kanë paditur për kanosje për vrasje, për shkaktim lëndimesh trupore dhe, më pas, e kanë gjykuar për goditjen shtatë herë me thikë të ankimueses, duke e dënuar me gjobë (shih paragrafët 13, 24 dhe 44 më lart).
167. Gjithsesi, asnjë nga këto masat nuk ishte e mjaftueshme për ndalimin e H.O.-s në ushtrimin e dhunës së mëtejshme. Në këtë aspekt, Qeveria ka fajësuar kërkuesen për tërheqjen e ankesave të saj dhe për mosbashkëpunim me organet kombëtare, gjë që i ka penguar organet të vijonin me proceset penale ndaj H.O.-s, në përputhje me dispozitat e së drejtës së brendshme, të cilat kërkonin përfshirjen e viktimës (shih paragrafin 70 më lart) në proces.
168. Gjykata thekson mendimin e saj në lidhje me ankesën sipas nenit 2, pra që kuadri ligjor duhej t’i bënte të mundur organeve kombëtare të vijonin me ndjekjen penale kundër H.O.-s, pavarësisht nga tërheqja e ankesave nga kërkuesja, me argumentimin se dhuna e ushtruar nga H.O.-ja ishte mjaftueshërisht e rëndë për të vënë në lëvizje prokurorinë dhe se përbënte kërcënim të vazhdueshëm për integritetin fizik të kërkueses (shih paragrafët 137-148 më lart).
169. Gjithsesi, nuk mund të thuhet se organet vendore shfaqën vigjilencën e nevojshme për parandalimin e përsëritjes së sulmeve të dhunshme, pasi bashkëshorti i kërkueses i kontaktonte viktimat pa pengesë dhe pa u ndëshkuar, duke cenuar kështu të drejtat e njohura nga Konventa (shih, mutatis mutandis, Maria da Penha k. Brazilit, cituar më lart, §§ 42-44). Sa për shembull, Gjykata vëren se pas incidentit të parë të rëndë (shih paragrafët 9 dhe 10), H.O.-ja sërish e rrahu ashpër kërkuesen, duke i shkaktuar asaj lëndime trupore, të cilat ishin të mjaftueshme për të vënë në rrezik jetën e saj, por ai u lirua në pritje të gjykimit “duke pasur parasysh natyrën e veprës dhe faktin se kërkuesja e kishte marrë veten plotësisht nga pikëpamja shëndetësore”. Proceset u ndërprenë përfundimisht, për shkak se kërkuesja i tërhoqi ankesat (shih paragrafin 13 dhe 19 më lart). Sërish, pavarësisht se H.O.-ja e sulmoi kërkuesen dhe nënën e saj duke përdorur një thikë dhe u shkaktoi atyre plagë të rënda, organet e drejtësisë i përfunduan proceset pa përfunduar ndonjë hetim (shih paragrafët 20 dhe 21 më lart). Po ashtu, H.O.-ja shtypi me makinë kërkuesen dhe nënën e saj, kësaj here duke i shkaktuar plagë kërkueses dhe plagë kërcënuese për jetën nënës së saj. Ai qëndroi vetëm 25 ditë në burg dhe u dënua me gjobë për shkaktimin e dëmtimeve të rënda trupore nënës së kërkueses (shih paragrafët 23-36 më lart). Së fundi, Gjykata është shumë e çuditur me vendimin e Gjykatës së Dijarbakırit për të dënuar H.O.-n vetëm me një gjobë të vogël, që, për më tepër, mund të paguhej dhe me këste, për goditjen shtatë herë me thikë të kërkueses (shih paragrafët 37 dhe 44).
170. Në dritën e asaj çfarë u tha më lart, Gjykata është e mendimit se përgjigja ndaj sjelljes së ish bashkëshortit të kërkueses ishte qartësisht e papërshtatshme në raport me seriozitetin e veprën në fjalë (shih, mutatis mutandis, Ali dhe Ayşe Duran k. Turqisë, nr. 42942/02, § 54, 8 prill 2008). Si rezultat, ajo vëren se vendimet gjyqësore në këtë çështje dëshmojnë për mungesë efikasiteti dhe tolerancë të dukshme dhe nuk patën efekt të dukshëm parandalues ose frenues mbi sjelljen e H.O.-s.
171. Për sa u përket parashtrimeve të Qeverisë se, përveç mjeteve efektive ligjore të parashikuara në Ligjin nr. 4320, kërkuesja mund të kishte kërkuar strehim në një ndër strehëzat për mbrojtjen e grave, Gjykata vëren se deri më 14 janar 1998, datë në të cilën ka hyrë në fuqi Ligji nr. 4320, legjislacioni turk nuk parashikonte masa specifike administrative ose policore për mbrojtjen e personave të brishtë ndaj dhunës në familje. Edhe pas kësaj date, nuk rezulton që organet e brendshme të kenë zbatuar në mënyrë efektive masat dhe sanksionet e parashikuara në ligj me qëllim mbrojtjen e kërkueses ndaj bashkëshortit të saj. Duke marrë parasysh masën e përgjithshme të dhunës së ushtruar nga H.O.-ja, zyra e prokurorisë duhet të ishte vënë në lëvizje vetë duke përdorur masat e parashikuara në Ligjin. 4320, pa pritur një kërkesë specifike nga kërkuesja për zbatimin e këtij ligji.
172. Duke marrë parasysh këtë, edhe po të supozojmë se kërkuesja të ish pranuar në një nga strehëzat, siç sugjerohet nga Qeveria, Gjykata vëren se kjo do të ishte vetëm një zgjidhje e përkohshme. Më tej, nuk është sugjeruar se ka pasur ndonjë organizim zyrtar për sigurimin e viktimave që qëndrojnë në këto strehëza.
173. Së fundmi, Gjykata vëren me shqetësim të madh se, megjithëse dhuna e ushtruar mbi kërkuesen nuk kishte përfunduar, organet vijonin të ishin jo-aktivë. Në lidhje me këtë, Gjykata thekson se, menjëherë pas lirimit nga burgu, H.O.-ja ka kërcënuar integritetin fizik të kërkueses (shih paragrafin 59 më lart). Pavarësisht nga kërkesa e kërkueses më 15 prill 2008, nëpërmjet të cilës ajo u kërkonte organeve të prokurorisë të merrnin masa për mbrojtjen e saj, asgjë nuk u bë deri sa Gjykata i kërkoi Qeverisë të jepte informacion rreth masave të marra nga autoritetet përgjegjëse. Pas kësaj kërkese, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Drejtësisë, prokurori i prokurorisë publike të Dijarbakırit e pyeti H.O.-n rreth kanosjeve për vrasje të bëra prej tij dhe mori deklaratën e partnerit aktual të kërkueses (shih paragrafët 60-67 më lart).
174. Përfaqësuesi ligjor i kërkueses e informoi Gjykatën se jeta e kërkueses ishte në rrezik të menjëhershëm, për shkak të dështimit të vazhdueshëm të organeve për të marrë masa të mjaftueshme për të mbrojtur klienten e tij (shih paragrafin 68 më sipër). Duket se pas transmetimit të kësaj ankese dhe pas kërkesës së Gjykatës për një shpjegim në lidhje me këtë gjë, organet kombëtare tashmë kanë përcaktuar masat specifike për sigurimin e mbrojtjes së kërkueses (shih paragrafin 69 më lart).
175. Duke pasur parasysh efektivitetin e përgjithshëm të mjeteve ligjore të sugjeruara nga Qeveria në lidhje me ankesat në bazë të nenit 3, Gjykata e rrëzon kundërshtimin e Qeverisë për mosshterim të mjeteve të brendshme efektive ligjore.
176. Gjykata arrin në përfundimin se ka shkelje të nenit 3 të Konventës për shkak të paaftësisë së organeve shtetërore për të marrë masa mbrojtëse në formën e pengesës efektive ndaj dhunimeve serioze të integritetit personal të kërkueses nga bashkëshorti i saj.
IV. PRETENDIMI PËR SHKELJEN E NENIT 14, I LEXUAR NË LIDHJE ME NENIN 2 DHE 3 TË KONVETËS
177. Kërkuesja pretendon shkelje të nenit 14, i marrë bashkërisht me nenin 2 dhe 3 të Konventës, pasi ajo dhe nëna e saj janë diskriminuar për shkak të përkatësisë së tyre gjinore.
Neni 14 i Konventës parashikon:
“Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.”
A. Parashtrimet e palëve
1. Kërkuesja
178. Kërkuesja pretendon se e drejta e brendshme e shtetit të paditur është diskriminuese dhe e pamjaftueshme për mbrojtjen e grave, pasi jeta e një gruaje trajtohet si më pak e rëndësishme për shkak të unitetit familjar. Kodi Civil i mëparshëm, në fuqi në atë kohë, përmbante dispozita të shumta që bënin dallime ndërmjet burrave dhe grave, të tilla si: burri është kreu i familjes, dëshirat e tij kanë përparësi si përfaqësuesi i unitetit familjar, etj. Kodi Penal i atëhershëm, po ashtu, i trajtonte gratë si qytetare të dorës së dytë. Gruaja konsiderohej kryesisht si pronë e shoqërisë dhe e burrit brenda familjes. Treguesi më i rëndësishëm i kësaj ishte fakti se veprat seksuale ishin të përfshira në seksionin e titulluar “Krimet e Lidhura me Moralin e Përgjithshëm dhe me Rregullin në Familje”, ndërkohë që, në fakt, veprat penale kundër grave janë sulme të drejtpërdrejta ndaj të drejtave dhe lirive të tyre personale. Për shkak të këtij perceptimi, Kodi Penal parashikon sanksione më të lehta për personat që vrasin gratë e tyre për çështje të nderit të familjes. Fakti që H.O.-ja ka marrë një dënim me 15 vjet është pasojë e këtij klasifikimi në Kodin Penal.
179. Pavarësisht nga reformat e kryera nga Qeveria në fushat e Kodit Civil dhe të Kodit të Familjes, përkatësisht në vitin 2002 dhe 2004, dhuna në familje e ushtruar nga burrat tolerohet ende dhe ushtruesit e dhunës nuk ndëshkohen nga organet gjyqësore dhe administrative. Kërkuesja dhe nëna e saj ishin viktima të shkeljes së nenit 2, 3, 6 dhe 13 vetëm për shkak të faktit që ishin gra. Në lidhje me këtë, kërkuesja tërhoqi vëmendjen e Gjykatës ndaj pamundësisë që një burrë të jetë viktimë e një dhune të këtij lloji.
2. Qeveria
180. Qeveria tha me vendosmëri se nuk kishte diskriminim gjinor në çështjen në fjalë, pasi dhuna në fjalë ishte reciproke. Më tej, nuk mund të pretendohet se kishte diskriminim të institucionalizuar që vinte si rezultat i ligjeve penale ose të familjes, ose nga praktika gjyqësore ose administrative. As nuk mund të thuhet se e drejta e brendshme përmbante ndonjë dallim formal ose të shprehur ndërmjet burrave dhe grave. Nuk ishte provuar se organet e brendshme nuk e kishin mbrojtur të drejtën e jetës së kërkueses për shkak të faktit se ajo ishte grua.
181. Qeveria vëren më tej se, për shkak të reformave të realizuara në vitin 2002 dhe 2004, përkatësisht të disa dispozitave të Kodit Civil dhe miratimit të një Kodi të ri Penal, si dhe hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 4320, legjislacioni turk parashikon garanci të mjaftueshme, të cilat i plotësojnë kërkesat ndërkombëtare për mbrojtjen e grave ndaj dhunës në familje. Qeveria përfundoi duke thënë se kjo padi duhet të deklarohet e papranueshme për shkak të paaftësisë së përdorimit të mjeteve efektive të brendshme ligjore, ose se është tërësisht e pabazuar, pasi këto pretendime nuk ishin sjellë kurrë në vëmendje të organeve të brendshme dhe, në çdo rast, janë tërësisht të pathemelta.
3. Interights
182. Interights parashtroi se paaftësia e shtetit për të mbrojtur individët ndaj dhunës në familje është e barazvlefshme me paaftësinë e tij për të realizuar detyrimin për garantimin e mbrojtjes së barabartë të ligjit për të dyja gjinitë. Ata vërejnë më tej se ka një pranim në rritje në nivel ndërkombëtar - si brenda Kombeve të Bashkuara dhe në sistemet e brendshme amerikane - të faktit se dhuna kundër grave është një formë e paligjshme diskriminimi.
B. Vlerësimi i gjykatës
1. Parimet përkatëse
183. Në vendimin e kohëve të fundit D.H. dhe Të tjerë k. Republikës Çeke ([GC], nr. 57325/00, 13 nëntor 2007, §§ 175-180) Gjykata parashtroi parimet e mëposhtme lidhur me çështjen e diskriminimit:
“175. Gjykata ka përcaktuar në jurisprudencën e saj se diskriminim do të thotë të trajtosh ndryshe, pa një justifikim objektiv dhe të arsyeshëm, personat në situata përgjithësisht të ngjashme (Willis k. Mbretërisë së Madhe, nr. 36042/97, § 48, GJEDNj 2002-IV; dhe Okpisz k. Gjermanisë, nr. 59140/00, § 33, 25 tetor 2005). ... Ajo ka pranuar, po ashtu, se një politikë ose masë e përgjithshme që ka efekte paragjykuese, jo përpjesëtimore, mbi një grup të caktuar, mund të konsiderohet diskriminuese, megjithëse ajo nuk është specifikisht e synuar për këtë grup (shih Hugh Jordan k. Mbretërisë së Madhe, nr. 24746/94, § 154, 4 maj 2001; dhe Hoogendijk k. Holandës (ven.), nr. 58461/00, 6 janar 2005), dhe se diskriminimi, potencialisht në kundërshtim me Konventën, mund të rrjedhë nga një situatë de facto (shih Zarb Adami k. Maltës, nr. 17209/02, § 76, GJEDNJ 2006-...)....
177. Për sa i përket barrës së provës në këtë fushë, Gjykata është shprehur se pasi ankimuesi të ketë dëshmuar një diferencë në trajtim, i takon Qeverisë të dëshmojë se ky trajtim është i justifikuar (shih, ndër autoritetet e tjera, Chassagnou dhe Të tjerë k. Francës [GC], nos. 25088/94, 28331/95 dhe 28443/95, §§ 91-92, GJEDNJ 1999-III; dhe Timishev, cituar më lart, § 57).
178. Në lidhje me pyetjen se çfarë përbën provë prima facie, të aftë për të zhvendosur barrën e provës mbi shtetin e paditur, Gjykata u shpreh në çështjen Nachova dhe të Tjerët (cituar më lart, § 147) se në proceset e gjykuara prej saj nuk ka pengesa procedurale për sa i përket pranueshmërisë së provave ose të formulave të paracaktuara për vlerësimin e saj. Gjykata arrin në përfundime që janë, sipas mendimit të saj, të mbështetura në vlerësimin e lirë të të gjitha provave, duke përfshirë dhe supozime të tjera që mund të rrjedhin nga faktet dhe nga parashtrimet e palëve. Mbi bazën e jurisprudencës së saj, provat mund të vijnë nga bashkëjetesa e supozimeve mjaftueshërisht të forta, të qarta dhe të harmonizuara, ose nga prezumime të ngjashme të pakundërshtueshme të faktit. Më tej, niveli i bindjes së nevojshme për të arritur në një përfundim të caktuar, dhe në lidhje me këtë, shpërndarja e barrës së provës lidhen pazgjidhshmërisht me tiparet e fakteve, natyrën e pretendimeve të ngritura dhe të drejtën në fjalë të Konventës.
179. Gjykata ka pranuar, po ashtu, se proceset e Konventës jo gjithmonë zbatojnë rigorozisht parimin e affirmanti incumbit probatio (kush ngre padi duhet të provojë pretendimin që ngre – Aktaş k. Turqisë (fragemente), nr. 24351/94, § 272, KEDNJ 2003‑V). Në rrethana të caktuara, kur ngjarjet në diskutim ndodhen plotësisht ose kryesisht brenda njohurisë ekskluzive të organeve shtetërore, barra e provës mund të konsiderohet se u takon organeve përkatëse, të cilat duhet të ofrojnë një shpjegim të pëlqyeshëm dhe bindës (shih Salman k. Turqisë [GC], nr. 21986/93, § 100, GJEDNJ 2000-VII; dhe Anguelova k. Bullgarisë, nr. 38361/97, § 111, ECHR 2002-IV). Në çështjen Nachova dhe të Tjerët (cituar më lart, § 157), Gjykata nuk përjashtoi mundësinë t’i kërkonte një shteti të paditur të rrëzonte një pretendim të diskutueshëm për diskriminim në raste të caktuara, megjithëse ajo e pa të vështirë ta bënte një gjë të tillë në atë rast, në të cilin pretendohej se akti i dhunës ishte paragjykuar për shkak të racës. Gjykata vërejti në këtë pikë se, në sistemet ligjore të shumë vendeve provimi i efektit diskriminues të një politike, vendimi ose praktike lidhet me nevojën e provimit të qëllimit lidhur me diskriminimin e pretenduar në punësim ose në ofrimin e shërbimeve.
180. Në lidhje me faktin nëse statistikat mund të përbëjnë provë, Gjykata ka deklaruar në të shkuarën se statistikat në vetvete nuk mund të përbëjnë një praktikë, e cila mund të klasifikohet si diskriminuese (Hugh Jordan, cituar më lart, § 154). Gjithsesi, në çështje më të vona lidhur me çështjen e diskriminimit në të cilin kërkuesit pretendojnë dallim përsa i përket efektit të një mase të përgjithshme ose de facto (Hoogendijk, cituar më lart; dhe Zarb Adami, cituar më lart, §§ 77-78), Gjykata është bazuar gjerësisht në statistikat e ofruara nga palët për të përcaktuar dallimin në trajtim ndërmjet dy grupeve (burra dhe gra) në situata të ngjashme.
Si rezultat, në vendimin për çështjen Hoogendijk Gjykata u shpreh se: “[Në] rastet kur një kërkues është në gjendje të tregojë, mbi bazën e statistikave zyrtare të padiskutueshme, praninë e një treguesi prima facie se një rregull specifik - megjithëse i formuluar në mënyrë neutrale – në fakt prek një përqindje qartësisht më të madhe grash sesa burrash, i takon Qeverisë së paditur të tregojë se kjo gjë ka ardhur si rezultat i faktorëve objektivë të palidhur me ndonjë diskriminim për shkak të gjinisë. Nëse barra e të provuarit se dallimi në efektin e një mase ndërmjet burrave dhe grave në praktikë nuk është diskriminues nuk i kalon shtetit të paditur, praktikisht do të ishte shumë e vështirë për kërkuesit të provonin diskriminimin e tërthortë.”
2. Zbatimi i parimeve të mësipërme mbi faktet e çështjes në fjalë
a. Kuptimi i diskriminimit në kuadrin e dhunës në familje
184. Gjykata thekson, që në fillim, se kur shqyrton objektin dhe qëllimin e dispozitave të Konventës, ajo merr parasysh edhe historikun e së drejtës ndërkombëtare për çështjen ligjore që i shtrohet për shqyrtim. Të përbëra nga një grup rregullash dhe parimesh që janë pranuar nga pjesa më e madhe e shteteve, standardet e përbashkëta të së drejtës së brendshme ose të së drejtës ndërkombëtare të shteteve evropiane, reflektojnë një realitet që Gjykata nuk mund të mos e marrë parasysh, kur asaj i kërkohet të qartësojë objektin e një dispozite të Konventës në rastet kur mjetet më konvencionale të interpretimit nuk i kanë lejuar asaj të bëjë një interpretim me një nivel të mjaftueshëm sigurie (shih Saadi k. kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 13229/03, § 63, GJEDNJ 2008‑..., cituar në Demir dhe Baykara, cituar më lart, § 76).
185. Në këtë pikë, kur shqyrtojmë përkufizimin dhe objektin e diskriminimit ndaj gruas, përveç kuptimit më të përgjithshëm të diskriminimit, siç përcaktohet në jurisprudencën e Gjykatës (shih paragrafin 183 më lart), Gjykata duhet të marrë parasysh dispozitat e instrumenteve ligjore më të specializuar dhe vendimet e organeve ndërkombëtare ligjore për çështjen e dhunës kundër gruas.
186. Në këtë kuadër, CEDAW e përkufizon diskriminimin kundër grave në nenin 1 si “... çdo dallim, përjashtim ose kufizim të bërë bazuar në seksin e dikujt, që ka efektin ose qëllimin e cenimit ose anullimit të njohjes, gëzimit ose ushtrimit nga gratë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në fushën politike, ekonomike, sociale, kulturore, civile dhe në fusha të tjera, pavarësisht nga statusi i tyre civil, mbi bazën e barazisë ndërmjet burrave dhe grave.”
187. Komiteti i CEDAW ka theksuar se dhuna kundër grave, përfshirë dhunën në familje, është formë e diskriminimit ndaj grave (shih paragrafin 74 më lart).
188. Komisioni i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut e njeh shprehimisht lidhjen ndërmjet dhunës me bazë gjinore dhe diskriminimit, duke theksuar në rezolutën e saj 2003/45 se “të gjitha format e dhunës kundër grave ndodhin në kuadrin e diskriminimit de jure dhe de facto ndaj grave dhe statusit më të ulët që u jepet atyre në shoqëri, dhe përkeqësohen nga pengesat që gratë shpesh hasin ndërsa kërkojnë mjete efektive ligjore nga shteti.”
189. Më tej, Konventa e Belém do Pará, e cila deri tani përbën të vetmin traktat rajonal shumëpalësh për të drejtat e njeriut ku trajtohet vetëm çështja e dhunës kundër grave, përshkruan të drejtën e çdo gruaje për të qenë e lirë nga dhuna, gjë e cila përfshin, ndërmjet të tjerash, dhe të drejtën për të qenë e lirë nga të gjitha format e diskriminimit.
190. Së fundmi, Komisioni Ndër-Amerikan po ashtu e ka përshkruar dhunën kundër grave si formë të diskriminimit për shkak të paaftësisë së shtetit për ushtrimin e vigjilencës së duhur për parandalimin dhe hetimin e ankesave në lidhje me dhunën në familje (shih Maria da Penha k. Brazilit, cituar më lart, § 80).
191. Nga rregullat dhe vendimet e përmendura më lart rezulton se paaftësia e shtetit për të mbrojtur gratë ndaj dhunës në familje shkel të drejtën e tyre për mbrojtje të barabartë nga ligji dhe se kjo paaftësi nuk ka nevojë të jetë e qëllimshme.
b. Qasja ndaj dhunës në familje në Turqi
192. Gjykata vëren se megjithëse ligji turk në fuqi në kohën e ngjarjeve nuk bënte dallim të qartë ndërmjet burrave dhe grave për sa i përket gëzimit të të drejtave dhe lirive, ai duhej harmonizuar me standardet ndërkombëtare lidhur me statusin e grave në një shoqëri demokratike dhe pluraliste. Ashtu si Komiteti i CEDAW (shih Komentet Përmbyllëse në paragrafin §§ 12-21), Gjykata i mirëpret reformat e realizuara nga Qeveria, në veçanti miratimin e Ligjit nr. 4320, i cili parashikon masa specifike për mbrojtjen ndaj dhunës në familje. Si rezultat, duket se diskriminimi i pretenduar në këtë çështje nuk ishte per se i bazuar në legjislacion, por rezultoi nga qëndrimi i përgjithshëm i organeve kombëtare, si për shembull mënyra e trajtimit të grave në rajonet e policisë kur ato shkonin për të raportuar dhunën në familje dhe pasiviteti juridik në ofrimin e mbrojtjes efektive për viktimat. Gjykata vëren se qeveria turke i ka pranuar këto vështirësi në praktikë kur ka diskutuar rreth kësaj çështjeje para Komitetit të CEDAW (po aty).
193. Në këtë kuadër, Gjykata vëren se kërkuesja ka paraqitur raporte dhe statistika të përgatitura nga dy OJQ, nga Shoqata e Avokatisë e Dijarbakırit dhe Amnesty International, me qëllim provimin e diskriminimit ndaj grave (shih paragrafët 91-104 më lart). Duke marrë parasysh se gjetjet dhe përfundimet e arritura në këto raporte nuk janë kundërshtuar nga Qeveria në asnjë fazë të proceseve, Gjykata do t’i shqyrtojë ato së bashku me konstatimet e saj për çështjen në fjalë (shih Hoogendijk, cituar më lart; dhe Zarb Adami, cituar më lart, §§ 77-78).
194. Pas shqyrtimit të këtyre raporteve, Gjykata konstaton se numri më i lartë i viktimave të raportuara të dhunës në familje gjendet në Dijarbakır, aty ku jetonte kërkuesja në kohën e ngjarjeve dhe se viktimat ishin të gjitha gra që kishin vuajtur kryesisht dhunë fizike. Pjesa më e madhe e këtyre grave ishin me origjinë kurde, analfabete ose me nivel të ulët arsimor dhe përgjithësisht pa burime të pavarura të ardhurash (shih paragrafin 98 më lart).
195. Më tej, duket se ekzistojnë probleme serioze në zbatimin e Ligjit nr. 4320, i cili konsiderohet nga Qeveria si një ndër mjetet efektive ligjore për gratë që përballen me dhunën në familje. Kërkimi i realizuar nga organizatat e përmendura më lart tregon se kur viktimat raportojnë dhunën në familje në rajonet e policisë, oficerët e policisë nuk hetojnë mbi ankimet e tyre, por mundohen të luajnë rolin e ndërmjetësuesit duke u përpjekur të bindin viktimat të kthehen në shtëpi dhe të tërheqin ankimin. Në këtë kuadër, oficerët e policisë e konsiderojnë problemin si “çështje familjare në të cilën ata nuk mund të ndërhyjnë” (shih paragrafin 92, 96 dhe 102 më lart).
196. Po ashtu, nga këto raporte del se ka mungesa të paarsyeshme në lëshimin e urdhrave të ndalimit nga gjykatat, sipas Ligjit nr. 4320, pasi gjykatat i trajtojnë ato si një formë veprimi divorci dhe jo si veprim urgjent. Po ashtu, vonesat janë të shpeshta kur bëhet fjalë për respektimin e urdhrave të ndalimit mbi agresorët, për shkak të qendrimit negativ të oficerëve të policisë (shih paragrafët 91-93, 95 dhe 101 më lart). Për më tepër, ushtruesit e dhunës në familje nuk duket se marrin ndëshkime që i bëjnë ata të heqin dorë nga ushtrimi i dhunës, pasi gjykatat i japin vendimet bazuar në zakonet, traditën dhe nderin (shih paragrafët 103 dhe 106 më lart).
197. Si rezultat i këtyre problemeve, raportet e sipërpërmendura sugjerojnë që dhuna në familje tolerohet nga organet kombëtare dhe se mjetet ligjore të përmendura nga Qeveria nuk funksionojnë siç duhet. Konstatime dhe shqetësime të ngjashme janë shprehur dhe nga Komiteti CEDAW kur ai u shpreh për “vazhdimin e dhunës ndaj grave në Turqi, përfshirë edhe dhunën në familje” dhe i bëri thirrje shtetit të paditur të shtojë përpjekjet e tij për të parandaluar dhe për të luftuar dhunën ndaj grave. Komiteti theksoi më tej nevojën për të zbatuar plotësisht dhe monitoruar me kujdes efektivitetin e Ligjit për Mbrojtjen e Familjes, dhe të politikave të tjera përkatëse me qëllim parandalimin e dhunës ndaj grave, sigurimin e mbrojtjes dhe ofrimin e shërbimeve mbështetëse për viktimat, si dhe ndëshkimin dhe rehabilitimin e autorëve të këtyre veprave (shih Komentet Përmbyllëse, § 28).
198. Në kuadrin e asaj çfarë u tha më lart, Gjykata është e mendimit se kërkuesja ka qenë në gjendje të dëshmojë, mbështetur nga një informacion statistikor i pakontestuar, praninë prima facie të dhunës në familje, dhunë e cila prekte kryesisht gratë, dhe se pasiviteti gjyqësor diskriminues në Turqi krijonte një klimë që favorizonte dhunën në familje.
c. Nëse kërkuesja dhe nëna e saj janë diskriminuar për shkak të paaftësisë së organeve përgjegjëse për të ofruar mbrojtje të barabartë të ligjit
199. Gjykata ka përcaktuar se sistemi i të drejtës penale, siç ka funksionuar në çështjen në fjalë, nuk ka pasur efekt të duhur pengues, të aftë për të siguruar mbrojtje efektive nga aktet e paligjshme të H.O.-s kundër integritetit personal të kërkueses dhe nënës së saj, duke shkelur kështu të drejtat e tyre të parashikuara në nenin 2 dhe 3 të Konventës.
200. Duke pasur parasysh konstatimet më lart dhe pasivitetin e përgjithshëm dhe diskriminues gjyqësor në Turqi, edhe pse i paqëllimshëm, që prekte kryesisht gratë, Gjykata është e mendimit se dhuna e vuajtur nga kërkuesja dhe nëna e saj mund të konsiderohet si dhunë për shkaqe gjinore, e cila është një formë e diskriminimit ndaj grave. Pavarësisht nga reformat e realizuara nga Qeveria në vitet e fundit, mospërgjigjja e përgjithshme e sistemit gjyqësor dhe pandëshkueshmëria e agresorëve, siç u konstatua në çështjen në fjalë, dëshmon se ka pasur angazhim të pamjaftueshëm për marrjen e masave të nevojshme për trajtimin e dhunës në familje (shih, në veçanti, seksionin 9 të CEDAW, cituar në paragrafin 187 më lart).
201. Duke marrë parasysh mungesën e efektivitetit të mjeteve të brendshme ligjore për të ofruar mbrojtje të barabartë të ligjit për kërkuesen dhe nënën e saj në gëzimin e të drejtave të tyre të garantuara në nenin 2 dhe 3 të Konventës, Gjykata shprehet se kanë ekzistuar rrethana të posaçme që e kanë penguar kërkuesen në përmbushjen e detyrimit për përdorim të mjeteve efektive ligjore të brendshme. Si rezultat, Gjykata e rrëzon kundërshtimin e Qeverisë për mosshterim të mjeteve efektive ligjore të brendshme, në lidhje me ankimin bazuar në nenin 14 të Konventës.
202. Në kuadrin e saj çfarë u shpjegua më lart, Gjykata vendos se në çështjen në fjalë ka shkelje të nenit 14, marrë së bashku me nenin 2 dhe 3 të Konventës.
V. PRETENDIMI PËR SHKELJEN E NENIT 6 DHE 13 TË KONVENTËS
203. Bazuar në nenet 6 dhe 13 të Konventës, kërkuesja pretendon se proceset penale të ngritura ndaj H.O.-s nuk ishin efektive dhe se kishin dështuar të siguronin mbrojtje të mjaftueshme për të dhe nënën e saj.
204. Qeveria e kontestoi këtë argument.
205. Duke pasur parasysh shkeljet e konstatuara në bazë të nenit 2, 3 dhe 14 të Konventës (shih paragrafët 153, 176 dhe 202 më lart), Gjykata nuk e sheh të nevojshme shqyrtimin e të njëjta fakteve edhe në kuadrin e neneve 6 dhe 13.
VI. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
206. Neni 41 i Konventës shprehet:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmi
207. Ankimuesja kërkoi 70,000 lira turke (TRL) (afërsisht 35,000 euro (EUR)) lidhur me dëmin material të shkaktuar nga vdekja e nënës së saj dhe 250,000 lira (afërsisht 125,000 euro) për dëm moral. Ajo shpjegoi se menjëherë pas vrasjes së nënës së saj, asaj i ishte mohuar çdo ndihmë ekonomike prej saj. Vrasja e nënës së saj dhe dhuna e vazhdueshme nga ish bashkëshorti i kishin shkaktuar stres dhe ankth, si dhe dëm të pazëvendësueshëm për mirëqenien e saj psikologjike dhe për vlerësimin ndaj vetes.
208. Qeveria parashtroi se shumat e pretenduara nuk janë të justifikuara në rrethanat e çështjes në fjalë. Qeveria pretendon se shumat janë të tepruara dhe se çdo vendim për këtë çështje nuk duhet të çojë në pasurim të padrejtë.
209. Në lidhje me pretendimin e kërkueses për dëme materiale, Gjykata vëren se ndërkohë që kërkuesja ka dëshmuar se, në disa raste, ajo ka kërkuar strehim në shtëpinë e së ëmës, nuk provohet se ajo ishte në ndonjë mënyrë e varur prej saj financiarisht. Por, kjo nuk përjashton dhënien e dëmshpërblimit për dëmin material që i është shkaktuar kërkueses, e cila ka dëshmuar se një anëtare e afërt e familjes së saj ka vuajtur nga mosrespektimi i Konventës (shih Aksoy k. Turqisë, 18 dhjetor 1996, § 113, Raporte 1996-VI, ku pretendimet për dëme materiale të bëra nga kërkuesi para vdekjes në lidhje me humbjen e të ardhurave dhe shpenzimet mjekësore të shkaktuara nga mbajtja në paraburgim dhe torturat u morën parasysh nga Gjykata, ndërkohë që kjo e fundit ia njohu dëmin material babait të tij, i cili e vijoi çështjen në Gjykatë). Gjithsesi, në çështjen në shqyrtim, pretendimet për dëme materiale lidhen me humbjet e pretenduara pas vdekjes së nënës së ankimueses. Në këtë mënyrë, Gjykata nuk e sheh me vend që në rrethanat e kësaj çështje të japë një dëmshpërblim për dëm material për kërkuesen.
210. Nga ana tjetër, për sa i përket dëmit moral, Gjykata vëren se nuk ka dyshim që kërkuesja ka qenë objekt i vuajtjes së ankthit dhe stresit për shkak të vrasjes së nënës së saj dhe të paaftësisë së organeve për të marrë masa të mjaftueshme për të ndaluar dhunën në familje të ushtruar nga ish bashkëshorti dhe për t’i dhënë këtij të fundit një dënim që do ta frenonte të vepronte më tej. Duke vendosur mbi baza të barabarta, Gjykata vendos për dhënien e 30,000 eurosh dëmshpërblim për dëmin e vuajtur prej saj për shkak të shkeljeve të nenit 2, 3 dhe 14 të Konventës.
B. Kostot dhe shpenzimet
211. Kërkuesja pretendoi dhe 15,500 lira turke (afërsisht 7,750 euro) për kostot dhe shpenzimet për proceset në Gjykatë. Këtu përfshihen tarifat dhe kostot lidhur me përgatitjen e çështjes (38 orë punë ligjore) dhe pjesëmarrja në seancat gjyqësore të Gjykatës së Strasburgut, si dhe shpenzime të tjera, të tilla si tarifa telefoni, faksi, përkthimi ose pajisje të zyrës.
212. Qeveria parashtroi se në mungesë të dokumenteve mbështetëse, ky pretendim i kërkueses duhet të rrëzohet.
213. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, kërkuesit kanë të drejtë të riimbursohen për kostot dhe shpenzimet e tyre vetëm për aq kohë sa dëshmohet se këto kosto dhe shpenzime janë shpenzuar vërtetë dhe se ato janë të arsyeshme në sasi. Në çështjen në fjalë, duke marrë parasysh informacionin që disponon Gjykata dhe kriteret e sipërpërmendura, Gjykata e sheh të arsyeshme të vendosë për pagimin e 6,500 eurove për kostot dhe shpenzimet për proceset para Gjykatës, minus 1,494 euro të marra si ndihmë ligjore nga Këshilli i Evropës.
C. Interes i munguar
214. Gjykata e mendon të arsyeshme që masa e interesit të munguar të bazohet në nivelin e huadhënies marxhinale të Bankës Qendrore Evropiane, mbi të cilin do të shtohen tre pikë përqindjeje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA NJËZËRAZI
1. Rrëzon kundërshtimin paraprak të Qeverisë lidhur me pretendimin për mosrespektimin e afatit gjashtëmujor;
2. I bashkon themelit të ankimeve të bëra sipas nenit 2, 3 dhe 14 të Konventës kundërshtimet fillestare të Qeverisë për mosshterim të mjeteve të brendshme ligjore dhe i rrëzon ato;
3. Deklaron çështjen të pranueshme;
4.Vendos se ka pasur shkelje të nenit 2 të Konventës në lidhje me vdekjen e nënës së kërkueses;
5. Vendos se ka pasur shkelje të nenit 3 të Konventës lidhur me paaftësinë e organeve për të mbrojtur kërkuesen nga dhuna në familje të ushtruar nga ish bashkëshorti i saj;
6. Vendos se nuk ka nevojë të shqyrtohen ankesat për shkelje të nenit 6 dhe 13 të Konventës;
7. Vendos se ka shkelje të nenit 14, i lexuar në lidhje me nenin 2 dhe 3 të Konventës;
8. Vendos:
(a) që shteti i paditur t’i paguajë kërkueses, brenda tre muajsh pas marrjes së formës së prerë të vendimit, siç parashikohet në nenin 44 § 2 të Konventës, shumat e mëposhtme, të cilat do të paguhen në lira turke në kursin e këmbimit në datën e kryerjes së pagesës:
(i) shumën prej 30,000 eurosh (tridhjetëmijë euro), plus çdo tatim mbi të për dëm moral;
(ii) shumën prej 6,500 eurosh (gjashtë mijë e pesëqind euro), minus 1,494 euro të marra si ndihmë ligjore nga Këshilli i Evropës, plus çdo tatim që paguhet mbi të, për kostot dhe shpenzimet gjyqësore;
(b) që nga përfundimi i afatit tremujor të përmendur më lart deri në datën e pagimit të kompensimit do të paguhet interes i thjeshtë për shumat e specifikuara më lart, i barabartë me nivelin e interesit marxhinal të kreditimit të Bankës Qendrore Evropiane gjatë periudhës së vonesës, plus tre pikë përqindjeje;
9. Rrëzon pjesën e mbetur të pretendimit të kërkueses për shpërblim të drejtë.
Bërë në anglisht dhe njoftuar me shkrim më 9 qershor 2009, në përputhje me nenin 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Santiago QuesadaJosep Casadevall Sekretar President
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim u krye me mbështetje të Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën, e cila nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën Gjykata e ndan atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo-komerciale, me kusht që të citohet titulli i plotë i çështjes, së bashku me të dhënat e mësipërme për të drejtën e autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Për përdorimin e çdo pjese të këtij përkthimi për qëllime komerciale, ju lutemi të kontaktoni në adresën publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012.
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights (/humanrightstrustfund ) or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (/humanrightstrustfund ), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sour réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à de fins commerciales est invitee à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
[1] Në një datë të paspecifikuar, pas vrasjes së nënës së saj, kërkuesja u divorcua nga i shoqi.
[2] Shih Rekomandimet e Përgjithshme të Komitetit Nr. 19 mbi “Dhunën ndaj Gruas,” (1992) UN doc. CEDAW/C/1992/L.1/Add.15 at § 24 (a).
[3] Ibid, at § 24 (b); shih gjithashtu § 24 (r).
[4] Ibid, at § 24 (t).
[5] Ibid, at § 24 (t) (i); shih gjithashtu paragrafin 24 (r) për masat e domosdoshme për kapërcimin e dhunës në familje.
[6] Velasquez-Rodriguez v. Honduras, vendim i 29 Korrikut, 1988, Inter-Am. Ct. H.R. (ser. C) No. 4, para. 172.
[7] Nënshkruar në Konferencën e Specializuar Ndër-Amerikane për të Drejtat e Njeriut, San Jose, Costa Rica, 22 Nëntor 1969. Neni (1) garanton si më poshtë: “1. Shtetet Palë në këtë Konventë angazhohen të respektojnë të drejtat dhe liritë të njohura prej saj dhe të sigurojnë për të gjithë personat nën juridiksionin e tyre ushtrimin e lirë dhe të plotë të këtyre të drejtave dhe lirive, pa asnjë dallim për shkak të rracës, ngjyrës, seksit, gjuhës, opinioneve politike apo të tjera, origjinës kombëtare apo sociale, statusit ekonomik, lindjes apo çdo lloj kushti tjetër social. 2. Për qëllimet e kësaj Konvente ‘person’ nënkupton çdo qënie njerëzore”.
[8] që u miratua nga Organizata e Shteteve Amerikane (OAS) dhe hyri në fuqi në 5 Mars 1995.
[9] Çështja 12.051, Raport Nr. 54/01, Inter-Am. C>H.R., Raporti vjetor 2000, OEA/Ser.L/V.II.111 Doc.20 rev. (2000)
[10] Maria da Penha k. Brazil, §§ 55 dhe 56.
Full & Egal Universal Law Academy