OMAR OTHMAN (ABU QATADA) kundër MBRETËRISË SË BASHKUAR
(kërkesa nr. 8139/09)
9 janar 2012
në mungesë të garancive diplomatike, kthimi i një refugjat në Jordani do të përbënte mohim flagrant të drejtësisë
I. Faktet kryesore
1. Kërkuesi, Omar Othman (Abu Qatada), ishte shtetas jordanez. Ai arriti në Mbretërinë e Bashkuar në shtator të vitit 1993 dhe paraqiti një kërkesë për azil, duke pretenduar në mënyrë të veçantë se kishte qenë i burgosur dhe ishte torturuar nga autoritetet jordaneze në vitin 1988 dhe ndërmjet viteve 1990-1991. Atij iu dha statusi i refugjatit në vitin 1994.
2. Në tetor të vitit 2002 ai u arrestua në bazë të ligjit Kundër Terrorizmit, Krimit dhe Sigurisë. Në mars 2005 ligji u shfuqizua, kërkuesi u lirua me kusht dhe ndaj tij u dha një urdhër kontrolli sipas ligjit për Parandalimin e Terrorizmit. Ndërkohë që shqyrtimi i ankesës së tij kundër urdhrit të kontrollit ishte ende në pritje, në gusht të vitit 2005, Sekretari i Shtetit njoftoi kërkuesin për dëbimin e tij në Jordani.
3. Z. Othman u ankua kundër vendimit të dëbimit. Për shkak se ishte dënuar në mungesë në Jordani për përfshirje në dy komplote terroriste në vitet 1999 dhe 2000, Z. Othman pretendoi se, nëse kthehej do të rigjykohej, duke rrezikuar kështu të torturohej, të qëndronte në paraburgim gjatë dhe t’i nënshtrohej një gjykimi të parregullt, pasi provat kundër tij ishin marrë duke torturuar të pandehurit e tjerë në proces.
4. Komisioni Special i Apelimit për Emigrantët i Mbretërisë së Bashkuar (KSPE) hodhi poshtë ankesën e tij dhe vendosi, në veçanti se, Z. Othman nuk rrezikonte të torturohej apo keqtrajtohej pasi kishte një marrëveshje të negociuar mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Jordanisë e vitit 2005. Në këtë aspekt, Memorandumi i Mirëkuptimit (MiM) përcaktonte një sërë garancish të detajuara, në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të cilat duhet të plotësoheshin kur një individ transferohej nga një shtet tek tjetri. Gjithashtu, KSPE vendosi se rigjykimi nuk do të në mohonte plotësisht të drejtën e tij për një gjykim të rregullt.
5. Gjykata e Apelit e pranoi pjesërisht ankesën e Z. Othman. Ajo konstatoi se ekzistonte rreziku i përdorimit të dëshmive të marra me anë të torturës kundër tij, në qoftë se kthehej në Jordani, dhe se kjo do të shkelte ndalimin ndërkombëtar mbi torturën, duke rezultuar në një mohim flagrant të drejtësisë, në shkelje të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Më 18 shkurt 2009, Dhoma e Lordëve mbështeti gjetjet e KSPE-së. Ata vërejtën se garancitë diplomatike do ta mbronin Z. Othman nga aktet e torturës. Gjithashtu, ata vendosën se, edhe në rast se do të përdoreshin provat e marra nëpërmjet torturës në procesin penal kundër tij në Jordani, kjo nuk nënkuptonte një mohim flagrant të drejtësisë.
II. Vendimi i Gjykatës
6. Kërkuesi pretendoi se, nëse dëbohej në Jordani, rrezikonte t’i nënshtrohej torturës dhe keqtrajtimit dhe një mohimi flagrant të drejtësisë, për shkak, ndër të tjera, pranimit të dëshmive të marra nëpërmjet torturës. Kërkuesi u mbështet në nenet 3, 5, 6 dhe 13. Kërkesa u paraqit në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut më 11 shkurt 2009. Më 19 shkurt 2009 Gjykata urdhëroi vendosjen e një mase të përkohshme, sipas nenit 39 të Rregullores së Gjykatës, ku i kërkonte Mbretërisë së Bashkuar pezullimin e vendimit të dëbimit të kërkuesit në Jordani, deri në marrjen e një vendimi nga kjo Gjykatë.
A. Në lidhje me nenin 3
7. Duke iu referuar jurisprudencës së saj të mirë-përcaktuar, Gjykata u shpreh se Z. Othman nuk mund të dëbohej në Jordani, nëse ekzistonte rreziku real që ai të torturohej apo t’i nënshtrohej trajtimit çnjerëzor ose poshtërues. Raportet e organeve të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të të drejtave të njeriut dëshmonin se tortura në Jordani ishte "e përhapur dhe e përsëritur", veçanërisht kundër të dyshuarve si terroristë islamikë dhe se gjykatat apo organe të tjera në Jordani nuk garantonin mbrojtje kundër këtyre akteve. Si islamik i një profili të lartë, Z. Othman i përkiste një kategorie të të burgosurve në rrezik real keqtrajtimi, madje ai pretendonte se kishte qenë objekt i torturës në kohën që jetonte në Jordani. Kështu, Gjykata duhet të vendoste nëse garancitë diplomatike të qeverisë jordaneze, të marra nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, kishin qenë të mjaftueshme për t’i garantuar mbrojtje Z. Othman.
8. Gjykata vendosi se, Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet dy qeverive ishte specifik dhe gjithëpërfshirës. Garancitë diplomatike ishin dhënë në mirëbesim nga Qeveria jordaneze, marrëdhëniet e së cilës me Mbretërinë e Bashkuar kishte qenë gjithmonë të forta. Garancitë ishin miratuar në nivelet më të larta të qeverisë, mbështetur edhe nga vetë Mbreti. Duke marrë parasysh profilin e lartë të Z. Othman, autoritetet jordaneze do të vepronin me kujdes për të siguruar që ai të trajtohej siç duhej dhe përveç kësaj, çdo keqtrajtim do të kishte pasoja të rënda për marrëdhëniet e Jordanisë me Mbretërinë e Bashkuar. Së fundmi, në përputhje me MiM, kërkuesi do të vizitohej rregullisht nga një organizatë e pavarur e të drejtave të njeriut në Jordani, Qendra Adaleh, e cila do të monitoronte respektimin e garancive diplomatike dhe do të kishte akses të plotë tek Z. Othman gjatë qëndrimit në burg. Si përfundim, Gjykata vendosi se, kthimi i kërkuesit në Jordani nuk do të shkelte nenin 3, pasi ai nuk rrezikonte të keqtrajtohej.
B. Në lidhje me nenin 13
9. Gjykata vërejti se procedurat e KSPE-së përmbushnin kërkesat e nenit 13, prandaj vendosi se nuk kishte pasur shkelje të nenit 13 tw Konventws.
C. Në lidhje me nenin 5
10. Më parë, Gjykata duhej të përcaktonte nëse neni 5 ishte i zbatueshëm në rastet e dëbimit. Ajo u shpreh se, nëse neni 6 mund të zbatohej në raste të tilla - dhe për këtë arsye një kërkues mund të mbështetej tek ky nen për të parandaluar dëbimin e tij në një shtet, ku rrezikonte të përballej me burgim, pas një gjykimi haptazi të padrejtë – edhe neni 5 mund të zbatohej për të parandaluar dëbimin në një shtet ku kërkuesi ishte dënuar me burg pas një gjykimi të padrejtë. Prandaj, Gjykata u shpreh se neni 5 gjente zbatim në një rast dëbimi e për rrjedhojë, një Shtet Kontraktues që dëbonte një kërkues në një shtet ku rrezikonte realisht të mos i respektohej e drejta për liri dhe siguri, do të shkelte detyrimet sipas kësaj dispozite. Megjithatë, duhej zbatuar një prag i lartë.
11. Gjykata konstatoi se Jordania, qartësisht kishte për qëllim të hapte procedurat në gjykatë kundër Z. Othman dhe sipas së drejtës së brendshme jordaneze duhet ta bënte këtë brenda 50 ditëve nga ndalimi i tij. Gjykata u shpreh se, periudha 50 ditore e ndalimit nuk mund të thuhej se shkelte në mënyrë flagrante kërkesat kohore sipas nenit 5 dhe, si pasojë, nuk do të kishte shkelje të nenit 5, nëse kërkuesi dëbohej në Jordani.
D. Në lidhje me nenin 6
12. Në jurisprudencën e Gjykatës është përcaktuar se një vendim dëbimi ose ekstradimi, kur personi ishte përballur ose rrezikonte të përballej me një mohim flagrant të drejtësisë në vendin pritës, mund të ngrinte, në raste shumë përjashtimore, një çështje në bazë të nenit 6. Termi "mohim flagrant i drejtësisë" ishte bërë sinonim i një proces që ishte haptazi në kundërshtim me dispozitat e nenit 6 dhe parimet e mishëruara në të.
13. Në rastin konkret, Gjykata vërejti se një mohim flagrant i drejtësisë, siç pretendonte kërkuesi, nuk përfshinte thjesht parregullsitë apo mungesën e masave mbrojtëse në procedurat e gjykimit. Në fakt, duhej të kishte një shkelje të parimeve kryesore të gjykimit të drejtë, në mënyrë të tillë që të ishin aq thelbësore sa të bënin nul ose shkatërronin vetë thelbin e së drejtës së garantuar nga neni 6.
14. Në këtë drejtim, Gjykata u shpreh se, përdorimi i provave të marra nëpërmjet akteve të torturës gjatë një procesi penal, do të përbënte mohim flagrant të drejtësisë, në shkelje të nenit 6. Aktet e torturës dhe përdorimi i provave të marra nëpërmjet ushtrimit të torturës, ishin të ndaluara sipas së drejtës ndërkombëtare. Pranimi, nga një gjykate penale, i provave të marrë nëpërmjet ushtrimit të torturës do të thoshte të legjitimohej ushtrimi i torturës tek dëshmitarët dhe të dyshuarit. Për më tepër, provat të marra nga ushtrimi i torturës konsideroheshin të pabesueshme, pasi një person që torturohet pranon gjithçka vetëm që të mos torturohet më.
15. Gjykata vërejti se aktet e torturës ishin të përhapura në Jordani, siç ishte edhe përdorimi i provave të marra nëpërmjet torturës nga gjykatat jordaneze. Për më tepër, Gjykata, në lidhje me dy akuzat për terrorizëm kundër Z. Othman, konstatoi se provat e përfshirjes së tij ishin marrë nga një prej të bashkë-akuzuarve të tjerë në të njëjtin proces nëpërmjet ushtrimit të torturës. Kur dy të pandehurit e tjerë u gjykuan, gjykatat jordaneze nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim në lidhje me ankesat e tyre për ushtrim të torturës. Gjykata u shpreh se ishte shumë e mundshme që në rigjykimin e Z. Othman do të pranoheshin prova inkriminuese të marra nëpërmjet ushtrimit të torturës dhe ato mund të ishin me rëndësi të konsiderueshme, në mos vendimtare.
Në mungesë të një garancie diplomatike nga qeveria jordaneze se nuk do të përdoreshin prova të marra nëpërmjet torturës kundër Z. Othman, Gjykata, arriti në përfundimin se dëbimi i tij në Jordani për t’u rigjykuar do të përbënte një mohim flagrant të drejtësisë, në shkelje të nenit 6.
E. Në lidhje me nenin 41
16. Kërkuesi nuk parashtroi pretendime për shpërblim të drejtë.
Full & Egal Universal Law Academy