© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
SEKSIONI I KATËRT
ÇËSHTJA E OTHMAN (ABU QATADA)
kundër MBRETËRISË SË BASHKUAR
(Kërkesa nr. 8139/09)
(Pjesë të shkëputura)
VENDIM
STRASBURG
17 janar 2012
PËRFUNDIMTAR
09/05/2012
Në çështjen e Othman (Abu Qatada) kundër Mbretërisë së Bashkuar,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Katërt), Dhoma e përbërë nga:
Lech Garlicki, Kryetar,
Nicolas Bratza,
Ljiljana Mijović,
Davíd Thór Björgvinsson,
Ledi Bianku,
Mihai Poalelungi,
Vincent A. De Gaetano, gjyqtarë,
dhe Lawrence Early, Kancelar i Seksionit,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 13 dhjetor 2011,
Merr vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në të njëjtën datë:
PROCEDURA
1. Çështja zuri fill me anë të një kërkese (nr. 8139/09) kundër Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore të depozituar në Gjykatë sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (“Konventa”) nga një shtetas jordanez, Z. Omar Othman (“Kërkuesi”), më 11 shkurt 2009.
2. Kërkuesi u përfaqësua nga Znj. G. Pearce, juriste që vepron në Londër me firmën Birnberg Peirce & Partners. Ajo u asistua nga Z. E. Fitzgerald QC, Z. R. Husain QC dhe Z. D. Fridman, avokatë. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar (“Qeveria”) u përfaqësua nga Agjentja Përfaqësuese Znj. L. Dauban, nga Zyra për Çështje të Jashtme dhe të Commonwealth-it.
3. Kërkuesi pretendoi, në mënyrë të veçantë, se ai do të vihej para një rreziku real për keqtrajtim, në kundërshtim me nenin 3 të Konventës, dhe para mohimit flagrant të drejtësisë, në kundërshtim me nenin 6 të Konventës, nëse dëbohej drejt Jordanisë.
4. Më 19 shkurt 2009, Kryetari i Dhomës së cilës i ishte caktuar kërkesa vendosi të zbatonte nenin 39 të Rregullores së Gjykatës, duke njoftuar Qeverinë që ishte në interes të dëshirave të palëve dhe zhvillimit të duhur të procedurave që kërkuesi të mos zhvendosej për në Jordani në pritje të vendimit të Gjykatës.
Më 19 maj 2009, Gjykata vendosi ta njoftonte Qeverinë në lidhje me kërkesën. Po ashtu, vendosi që të merrte një vendim në lidhje me pranueshmërinë dhe themelet e çështjes njëkohësisht (neni 29 § 1 i Konventës).
5. Si kërkuesi, ashtu edhe Qeveria paraqitën vërejtjet e tyre (neni 59 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Përveç kësaj, u morën komentet e palëve të treta nga organizatat jo-qeveritare Amnesty International, Human Rights Watch dhe JUSTICE, të cilave u ishte dhënë leje nga Kryetari i Dhomës për të ndërhyrë në procedurën me shkrim (neni 36 § 2 i Konventës dhe neni 44 § 2 i Rregullores). Palët iu përgjigjën atyre komenteve (neni 44 § 5).
6. Një seancë publike u mbajt në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 14 dhjetor 2010 (neni 59 § 3).
Para Gjykatës dolën:
(a) për Qeverinë
Znj.L. Dauban, Përfaqësuese,
Z.M. Beloff QC,
Znj.R. Tam QC,
Z.T. Eicke, Avokatë,
Z.N. Fussell,
Z.A. Gledhill,
Z.T. Kinsella,
Z.A. Rawstron,Këshilltarë;
(b) për kërkuesin
Znj.G. Peirce,Këshilltar juridik,
Z.E. Fitzgerald QC,
Z.D. Friedman,Avokatë.
Gjykata dëgjoi mendimet e Z. Beloff dhe Z. Fitzgerald dhe përgjigjet e tyre ndaj pyetjeve të bëra nga Gjykata.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
A. Hyrje
7. Kërkuesi është i lindur në vitin 1960 afër Bethlehemit, që në atë kohë administrohej si pjesë e Mbretërisë së Jordanisë. Ai arriti në Mbretërinë e Bashkuar në shtator 1993, pasi ishte arratisur më parë nga Jordania për në Pakistan. Ai bëri kërkesë të suksesshme për azil, e cila bazohej, së pari, në faktin që ai ishte ndaluar dhe torturuar në mars 1988 dhe në vitet 1990-91 nga autoritetet jordaneze dhe, së dyti, që ishte ndaluar e më pas vendosur në arrest shtëpiak në dy raste të tjera. Kërkuesit iu njoh statusi i refugjatit më 30 qershor 1994 dhe iu dha lejeqëndrimi deri më 30 qershor 1998. Sipas praktikës së zakonshme, Sekretari i Shtetit nuk dha arsyet e vendimit të tij për njohjen e kërkuesit si refugjat.
8. Më 8 maj 1998 kërkuesi aplikoi për lejeqëndrim të pacaktuar në Mbretërinë e Bashkuar. Në lidhje me këtë ankesë ende nuk ishte marrë vendim deri në kohën e arrestimit të tij më 23 tetor 2002. Në atë datë ai u ndalua në përputhje me Ligjin për Anti-Terrorizëm, Krim dhe Siguri të vitit 2001 (shih A. dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 3455/05, § 90, 19 shkurt 2009). Kur Ligji u shfuqizua në mars 2005, kërkuesi u lirua me dorëzani dhe më pas iu nënshtrua një urdhri për kontroll sipas Ligjit për Parandalimin e Terrorizmit të vitit 2005 (ibid., §§ 83-84). Më 11 gusht 2005, ndërkohë që apeli i tij kundër urdhrit të kontrollit ishte ende në pritje të vendimit, Sekretari i Shtetit i dërgoi kërkuesit një notë për qëllimin për dëbim (shih seksionin D, paragrafi 25 poshtë).
B. Procedurat e mëparshme penale në Jordani
1. Gjyqi i reformës dhe sfidës
9. Në prill 1999, kërkuesi u dënua in absentia në Jordani për komplot me qëllim të shkaktimit të shpërthimeve, në një proces gjyqësor të njohur si çështja e “reformës dhe sfidës”. Ai ishte i dymbëdhjeti prej trembëdhjetë të pandehurve.
10. Çështja kishte të bënte me pretendimet për ekzistimin e një komploti për vendosjen dhe shpërthimin e bombave në Jordani, çka rezultoi me sulme të suksesshme kundër Shkollës Amerikane dhe Hotel Jerusalemit në Amman në vitin 1998. Kishte edhe dënime të tjera për vepra të anëtarësimit në një grup terrorist, por këto ishin pjesë e një amnistie të përgjithshme. Në fund të procesit gjyqësor, kërkuesi u dënua me burgim të përjetshëm me punë të detyruar.
11. Gjatë gjyqit, një dëshmitar, Mohamed Al-Jeramaine, rrëfeu që ai kishte qenë i përfshirë në sulmet me bomba, e jo të pandehurit. Gjykata e Sigurimit Shtetëror, pasi dëgjoi argumentet e çështjes, shprehu bindjen se ky rrëfim ishte i pavërtetë, dhe dukshëm i tillë, për shkak të mospërputhjeve mes deklarimeve të tij lidhur me natyrën e lëndëve shpërthyese, për shembull, dhe provave të tjera teknike. Z. Al-Jeramaine më vonë u ekzekutua për vrasje për të cilat ishte dënuar në një proces tjetër gjyqësor.
12. Kërkuesi pretendon që provat kundër tij janë bazuar kryesisht mbi një deklaratë inkriminuese të dhënë nga një i bashkëpandehur, Abdul Nasser Al-Hamasher (i njohur edhe si Al-Khamayseh). Në rrëfimin e tij dhënë Prokurorit Publik (apo të Shtetit), Z. Al-Hamasher pretendoi që kërkuesi i kishte inkurajuar sulmet paraprakisht. Njëkohësisht, u tha se ai e kishte përgëzuar grupin pas sulmeve.
13. Z. Al-Hamasher, së bashku me disa të pandehur të Tjerë, ishte ankuar gjatë procedurës para Gjykatës së Sigurimit të Shtetit që ata ishin torturuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Inteligjencës jordaneze (GID), e cila e ndan përgjegjësinë për ruajtjen e sigurisë së brendshme dhe monitorimin e kërcënimeve ndaj sigurisë në Jordani me Drejtorinë për Siguri Publike dhe me ushtrinë. Në fund të periudhës së marrjes në pyetje gjatë së cilës ata pretenduan se ishin torturuar, Prokurori Publik mori një deklaratë nga secili i pandehur.
14. Në gjyq u paraqitën prova nga avokatët dhe ekzaminuesit mjekësorë si dhe të afërmit e të pandehurve që të pandehurit kishin shenja të dukshme të torturave. Megjithatë, Gjykata e Sigurimit të Shtetit arriti në përfundimin që të pandehurit nuk kishin arritur ta vërtetonin torturën.
15. Pati disa apele në adresë të Gjykatës së Kasacionit dhe rikthime përsëri drejt Gjykatës së Sigurimit të Shtetit, megjithëse, meqë kërkuesi ishte dënuar in absentia, nuk u mor asnjë apel në emër të tij. Gjatë atyre apeleve, dënimet u mbështetën mbi bazën e faktit që deklaratat relevante i ishin dhënë Prokurorit Publik. Kështu, rrëfimet në ato deklarata përbënin prova të mjaftueshme për dënim nëse gjykata i pranonte dhe nëse Prokurori Publik ishte i kënaqur me ato rrëfime. Gjykata e Kasacionit e refuzoi pretendimin që Prokurori Publik duhet të vërtetonte që të pandehurit ishin rrëfyer para tij me vetëdije të plotë: Prokurori Publik ishte i detyruar të vërtetonte që rrëfimi ishte dhënë me vullnet të lirë vetëm aty ku rrëfimi nuk ishte marrë nga ai. Rrëfimet në fjalë ishin origjinale dhe nuk kishte prova që ato ishin marrë me anë të ndonjë shtrëngimi finaciar apo moral.
16. Më pas, Gjykata e Kasacionit mori në shqyrtim impaktin e pretendimeve që rrëfimet dhënë Prokurorit të Shtetit kishin ardhur si rezultat i shtrëngimit të të pandehurve dhe familjeve të tyre gjatë kohës që qëndrimit në burgun e GID. Një sjellje e tillë gjatë hetimeve ishte në kundërshtim me ligjin jordanez dhe kryesit e saj përballeshin me dënim. Megjithatë, edhe sikur pretendimet e të pandehurve të ishin të vërteta, kjo do të zhvleftësonte rrëfimet dhënë Prokurorit Publik, nëse nuk vërtetohej se ato rrëfime ishin rezultat i shtrëngimit të paligjshëm për t’i detyruar të pandehurit të rrëfenin gjëra që nuk kishin bërë. Të pandehurit nuk e kishin vërtetuar që ishte kështu.
17. Si pasojë e dënimit të kërkuesit në këtë proces gjyqësor, autoritetet jordaneze kërkuan ekstradimin e kërkuesit nga Mbretëria e Bashkuar. Në fillim të vitit 2000, Jordania e tërhoqi kërkesën.
2. Gjyqi i komplotit të mijëvjeçarit
18. Në vjeshtën e vitit 2000 kërkuesi përsëri u gjykua in absentia në Jordani, kësaj radhe në një çështje të quajtur “komploti i mijëvjeçarit”, që kishte të bënte me një komplot për shkaktimin e shpërthimeve në shënjestra perëndimore dhe izraelite në Jordani të cilat do të koinçidonin me festimin e mijëvjeçarit. Komploti u zbulua para se të mund të kryheshin sulmet. U pretendua se kërkuesi kishe dhënë para për një kompjuter dhe i kishte nxitur ato përmes shkrimeve të tij, të cilat ishin gjetur në shtëpinë e një të bashkëpandehuri, Abu Hawsher. Kërkuesi deklaron që provat kryesore kundër tij ishin nga dëshmia e Abu Hawsher.
19. Shumica e të pandehurve u dënuan për pjesën më të madhe të akuzave; disa u shfajësuan plotësisht ose pjesërisht. Kërkuesi u gjet fajtor dhe u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burgim me punë të detyruar. Të pandehurit e tjerë, përfshirë Abu Hawsher, u dënuan me vdekje. Në apelin e tyre, disa prej të pandehurve, përfshirë me sa duket edhe Abu Hawsher, pretenduan se ishin torturuar gjatë pesëdhjetë ditëve të marrjes në pyetje kur u ishte mohuar edhe qasja ndaj avokatëve. Gjykata e Kasacionit e refuzoi këtë bazë apeli, duke deklaruar që procesverbali i marrjes në pyetje tregonte se secili i pandehur ishte këshilluar në lidhje me të drejtën për të qëndruar në heshtje lidhur me akuzat nëse nuk e kishte avokatin të pranishëm. Po ashtu, kërkuesi deklaron që Gjykata e Kasacionit gjeti që keqtrajtimi i pretenduar gjatë burgimit në GID nuk ishte relevant sepse Gjykata e Sigurimit të Shtetit nuk u mbështet tek rrëfimet e të pandehurve dhënë në GID por tek rrëfimet e tyre dhënë Prokurorit Publik. Abu Hawsher vazhdon të mbetet i dënuar me vdekje.
20. Gjetjet e Komisionit të Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Çështje të Imigracionit (angl. SIAC) në lidhje me provat e paraqitura në secilin proces gjyqësor janë dhënë në paragrafin 45 poshtë. Provat e tjera që kanë dalë në pah që nga koha e gjetjeve të SIAC, dhe të cilat i janë paraqitur kësaj Gjykate, janë përmbledhur në paragrafët 94-105 poshtë [shih tekstin e plotë të vendimit në bazën e të dhënave Hudoc].
C. Marrëveshja e një memorandumi të mirëkuptimit mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Jordanisë
21. Në tetor 2001, Zyra për Çështje të Jashtme dhe Commonwealth e këshilloi Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar që neni 3 i Konventës e pengonte dëbimin e të dyshuarve për terrorizëm për në Jordani. Në mars 2003, pas një shqyrtimi nga ana e qeverisë të mundësisë së heqjes së këtyre pengesave për zhvendosje, Zyra për Çështje të Jashtme dhe Commonwealth konfirmoi që këshilla e saj e tetorit të vitit 2001 ende qëndronte por që ajo po merrte në konsideratë nëse vende të tjera të rëndësishme do të kishin vullnetin dhe mundësinë që të ofronin sigurinë e duhur për të garantuar që të dëbuarit potencialë do të trajtoheshin në një mënyrë që përputhej me detyrimet e Mbretërisë së Bashkuar. Në maj 2003 Sekretari i Jashtëm ra dakord që kërkimi i garancive të veçanta dhe të besueshme nga qeveritë e huaja, në formën e memorandumeve të mirëkuptimit, mund të ishte një mënyrë për mundësimin e dëbimit nga Mbretëria e Bashkuar.
22. Në nëntor 2003, ambasada britanike në Aman u udhëzua të diskutonte idenë e një memorandumi-kornizë të mirëkuptimit (MiM) me qeverinë jordaneze. Në shkurt 2005, pas takimeve mes Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar dhe Mbretit të Jordanisë, dhe mes Sekretarit të Shtetit për Punët e Brendshme dhe Ministrit të Jashtëm të Jordanisë, u arrit marrëveshja lidhur me parimin e një Memorandumi Mirëkuptimi (MiM).
23. Në qershor 2005 vazhduan negociatat, dhe më 10 gusht 2005 u nënshkrua një MiM. Ky MiM përcaktonte një sërë garancish të pajtueshmërisë me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, në përputhje me të cilat do të veprohej kur dikush do të kthehej në një Shtet nga një Shtet tjetër (shih paragrafin 76 poshtë). Në të njëjtën ditë, u nënshkrua një letër anësore nga I Ngarkuari me Punë i Mbretërisë së Bashkuar në Aman pranë Ministrisë së Brendshme të Jordanisë, ku vihej në dukje mundësia e qeverisë së Jordanisë për të ofruar garanci në raste individuale për mos caktimin e dënimit me vdekje. Në lidhje me kërkuesin, qeverisë jordaneze iu bënë edhe pyetje të tjera lidhur me zhvillimin e çfarëdo rigjykimi me të cilin ai mund të përballej pas dëbimit, të cilave iu dha përgjigje në maj 2006 nga Këshilltari Juridik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Jordanisë.
24. Në MiM gjithashtu parashikohej që çdo person që kthehej sipas këtij Memorandumi të kontaktonte menjëherë dhe të zhvillonte takime të rregullta me një përfaqësues të një organi të pavarur të emëruar bashkërisht nga qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Jordanisë. Më 24 tetor 2005 Qendra për Studimet e të Drejtave të Njeriut Adaleh (“Qendra Adaleh”) nënshkroi një marrëveshje monitorimi me qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar. Më 13 shkurt 2006 u miratuan kushtet e punës së Qendrës Adaleh (shih paragrafin 80 poshtë).
D. Apeli i kërkuesit kundër dëbimit
25. Më 11 gusht 2005, d.m.th. të nesërmen nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit, Sekretari i Shtetit i paraqiti kërkuesit njoftimin për synim dëbimi. Sekretari i Shtetit siguroi që vendimi për dëbimin e kërkuesit ishte marrë në interes të sigurisë kombëtare. Kërkuesi apeloi tek SIAC kundër atij vendimi duke argumentuar, inter alia, që ai ishte në mospërputhje me nenet 2, 3, 5 dhe 6 të Konventës. Duke u mbështetur në kërkesën e tij të mëparshme për azil, ai diskutoi që profili i tij i lartë nënkuptonte që ai do të ishte person me interes të veçantë për autoritetet jordaneze. Po të kthehej, ai gjithashtu do të përballej me rigjykimin për veprat për të cilat ishte dënuar in absentia. Kështu, ai do të përballej me paraburgim të gjatë paragjyqësor (në shkelje të nenit 5) dhe, po të dënohej, do të përballej me një dënim me burgim të gjatë. Të gjithë këto faktorë nënkuptonin që ai ishte në rrezik real që të torturohej, qoftë gjatë paraburgimit apo pas dënimit, për të nxjerrë rrëfime apo informacione për arsye të tjera. Njëkohësisht, ai rrezikonte të dënohej me vdekje apo të dërgohej në vende të tjera, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke u bazuar në nenin 6, ai pretendoi që rigjykimi i tij do të ishte i padrejtë në mënyrë flagrante: Gjykatës së Sigurimit të Shtetit, gjykatës ushtarake, i mungonte pavarësia nga ekzekutivi dhe ekzistonte një rrezik real që prova të marra përmes torturës – qoftë prej tij, të bashkëpandehurve të tij apo të burgosurve të Tjerë – do të merreshin si prova kundër tij.
1. Procedurat para SIAC
(a) Zhvillimi i procedurave para SIAC dhe gjetjet e tij lidhur me sigurinë kombëtare
26. Apeli i kërkuesit u rrëzua nga SIAC më 26 shkurt 2007. Apeli ishte dëgjuar nga SIAC në dy pjesë: një “seancë e hapur”, ku u paraqitën argumentet dhe provat e Sekretarit të Shtetit në prani të kërkuesit dhe përfaqësuesve të tij; dhe një “seancë e mbyllur”, ku u paraqitën një pjesë e argumenteve të Sekretarit të Shtetit të cilat nuk mund të bëheshin të ditura për arsye sigurie ... SIAC i dëgjoi provat në seancën e mbyllur në lidhje me procesin e rënies dakord për Memorandumin e Mirëkuptimit, shkallën deri ku ai do të lehtësonte rrezikun e torturës dhe po ashtu provat lidhur me kërcënimin ndaj sigurisë kombëtare që kërkuesi presupozohej të kishte paraqitur në Mbretërinë e Bashkuar (“materiali i mbyllur”). Në seancat e mbyllura, kërkuesi dhe përfaqësuesit e tij nuk u lejuan të merrnin pjesë por interesat e tij u përfaqësuan nga avokatë të posaçëm. Më pas, SIAC mori një “vendim të hapur”, i cili është i hapur për publikun, dhe një “vendim të mbyllur”, i cili iu dha vetëm Sekretarit të Shtetit dhe avokatëve të posaçëm.
27. Në marrjen e vendimit lidhur me faktin nëse dëbimi i kërkuesit ishte i nevojshëm duke pasur parasysh interesat e sigurisë kombëtare, SIAC konsideroi që argumentet e Sekretarit të Shtetit ishin të “vërtetuara mirë” meqenëse kërkuesi shihej nga shumë terroristë si një këshillues shpirtëror pikëpamjet e të cilit legjitimonin aktet e dhunës. Sidoqoftë, SIAC nuk mori parasysh asnjërin nga dënimet e kërkuesit in absentia në Jordani, të cilat fillimisht u paraqitën si pjesë e argumenteve të qeverisë. Arsyeja ishte sepse qeveria kishte ndërmarrë atë që u quajt “qasje pragmatike” duke u tërhequr nga të bazuarit tek çdo provë që pretendohej të ishte marrë përmes torturës me arsyetimin që do të duheshin hetime për të vërtetuar nëse ajo provë ishte marrë me anë të torturës. Kjo u bë në pajtim me vendimin e Dhomës së Lordëve në çështjen A. dhe të Tjerë (nr. 2) për atë qëllim (shih paragrafët 136-37 poshtë).
28. Më pas SIAC shqyrtoi provat që kishte dëgjuar nga burime të ndryshme, përfshirë një diplomat të lartë anglez, Z. Mark Oakden, i cili dha dëshmi në lidhje me negociatat për MiM, marrëveshjen me Qendrën Adaleh për monitorim, dhe rrezikun me të cilin përballej kërkuesi në Jordani. Në emër të kërkuesit, SIAC dëgjoi dëshmitë nga tre akademikë në lidhje me regjimin jordanez. Po ashtu, SIAC mori dëshmi edhe nga një juriste arabishtfolëse, Znj. Rana Refahi, e cila kishte udhëtuar për në Jordani për të zhvilluar hulumtime lidhur me dy proceset e mëhershme gjyqësore, përfshirë edhe intervistat me të pandehurit dhe avokatët e tyre. Më tej, SIAC mori në konsideratë prova të interesimit të qeverisë amerikane për kërkuesin dhe pretendimet që një shtetas jordanez kishte qenë objekt i një transferimi të jashtëzakonshëm nga Jordania për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
(b) Gjetjet e SIAC-it në lidhje me Memorandumin e Mirëkuptimit
29. SIAC gjeti që vendimet e kësaj Gjykate në çështjet Chahal kundër Mbretërisë së Bashkuar, 15 nëntor 1996, Përmbledhje e Vendimeve 1996-V dhe Mamatkulov dhe Askarov kundër Turqisë [GC], nr. 46827/99 dhe nr. 46951/99, ECHR 2005‑I, tregonin se garancitë e ofruara përbënin bazë ligjore për t’u mbështetur; por pesha që do t’i jepej varej nga rrethanat e secilës çështje. Kishte dallim mes të bazuarit mbi një garanci e cila kërkonte që një Shtet të vepronte në mënyrë të atillë që nuk ishte në pajtim me të drejtën normale të tij dhe një garanci e cila kërkonte që Shteti t’i përmbahej asaj që parashikonte ligji i tij por e cila mund të mos zbatohej krejtësisht apo rregullisht në praktikë. Duke iu referuar një vendimi të Komisionit të Kombeve të Bashkuara kundër Torturës, Agiza kundër Suedisë (shih paragrafin 147 poshtë), ku autoritetet suedeze kishin dëbuar një shtetas egjiptian pas marrjes së garancive nga Egjipti, SIAC vazhdoi:
“Çështja Agiza shërben si paralajmërim i qartë i rreziqeve të të bazuarit të thjeshtë në formën e fjalëve dhe monitorimit diplomatik. Ka pasur paraprakisht shenja paralajmëruese të cilat duhet t’i kishin dërguar sinjale alarmi autoriteteve suedeze në lidhje me rreziqet, përfshirë rolin që ata i kishin lejuar një organizate të huaj të inteligjencës. Por ne shënojmë ato që, për ne, janë dallimet thelbësore: fuqinë, qëndrueshmërinë dhe thellësinë e marrëdhënieve të dyanshme mes dy vendeve në krahasim me marrëdhënien e cekur mes Suedisë dhe Egjiptit; mënyra në të cilën janë zhvilluar negociatat për MiM dhe vlerësimi diplomatik i domethënies së tyre; rrethanat e veçanta të [kërkuesit në fjalë] dhe Jordanisë; shkalla e rrezikut në faza të ndryshme, në mungesë të MiM-it, posaçërisht në fazat e hershme të paraburgimit, gjatë të cilit rreziku i torturës nga GID do të ishte normalisht më i madh, dhe kur tortura e konfirmuar e Agizës në Egjipt duket të ketë ndodhur; dhe shpejtësia me të cilët monitoruesit do të kërkonin dhe besojmë edhe do të kishin qasje tek Apeluesi gjatë atyre ditëve të para. Suedezët menduan se nëse kërkonin ta shihnin Agizën atëherë do të tregonin mungesë besimi ndaj egjiptianëve, ndërkohë që një ndjenjë e tillë nuk ekziston as tek Mbretëria e Bashkuar, as tek Qendra [Adaleh] apo tek qeveria e Jordanisë. Përkundrazi. Një aspekt i asaj çështjeje i cili shqetësoi edhe [Komitetin Kundër Torturës] ishte fakti që Agiza ishte zhvendosur pa u marrë vendimi përfundimtar gjyqësor në çështjen e tij. Në rastin konkret kjo nuk do të ndodhë.”
30. Për sa i përket rastit në fjalë, situata politike në Jordani dhe liria, sado e kufizuar, e organizatave jo-qeveritare (OJQ), shtypit dhe parlamentit për të shprehur shqetësimet e tyre do të reduktonte rreziqet me të cilat përballet kërkuesi. Përveç kësaj, niveli i kontrollit të cilit kishte pranuar t’i nënshtrohej Jordania sipas Memorandumit të Mirëkuptimit nuk tregonte gjë tjetër përveç se ajo ishte e gatshme t’u përmbahej kushteve në MiM dhe të vepronte në frymën e tij. Secili vend kishte interes real në parandalimin e shkeljes të MiM: marrëdhëniet diplomatike mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Jordanisë ishin miqësore dhe afatgjata dhe kishin vlerë reale për Jordaninë dhe do të shërbenin si stimul i madh që Jordania të mos shihej si e tillë që shkelte fjalën e dhënë. Të dy vendet kishin interes në ruajtjen e bashkëpunimit kundër terrorizmit. Mbretëria e Bashkuar kishte një shqetësim shumë real lidhur me mundësinë e zhvendosjes së shtetasve të huaj pa shkelur të drejtat e tyre nga neni 3, meqenëse dështimi në një çështje të bërë kaq publike sa kjo do të ishte një hap i madh mbrapa për atë proces. Kështu, ky shqetësim do të shërbente si stimul i mëtejshëm për të hetuar çdo shkelje të MiM-it. Ndërkohë që MiM nuk specifikonte se çfarë hapash duheshin ndërmarrë në hetime të tilla, SIAC pranoi dëshminë e Z. Oakden sipas të cilit çdo dështim i qeverisë jordaneze për t’u përgjigjur ndaj çështjeve diplomatike do të shpinte drejt “përshkallëzimit të shpejtë të reagimeve dhe kontakteve diplomatike e ministrore”.
31. SIAC pranoi që kishte pasur disa mangësi në MiM dhe në dispozitat monitoruese. Disa mbrojtje, siç është qasja e menjëhershme ndaj një avokati, intervistat e regjistruara, ekzaminimet e pavarura mjekësore dhe ndalimi i vendeve sekrete të burgimit, nuk ishin dukshëm të pranishme por, në të vërtetë, shumica e këtyre aspekteve ishin të mbuluara. Nuk kishte asnjë garanci që qasja ndaj kërkuesit, sipas kushteve të punës të Qendrës Adaleh, do të lejohej gjithmonë, por çdo refuzim do të dilte në dritë shumë shpejt; në periudhën e hershme të paraburgimit, Qendra pritej ta vizitonte kërkuesin tri herë në javë. SIAC gjithashtu priste që GID dhe qeveria e Jordanisë të reagonin menjëherë ndaj çdo qasjeje nga Mbretëria e Bashkuar nëse ndonjë vizitë do të refuzohej. Ishte “shqetësuese” që Raportuesit të Kombeve të Bashkuara për Torturën i ishte refuzuar hyrja në një ndërtesë të GID-it në qershorin e vitit 2006, pavarësisht nga një marrëveshje paraprake sipas së cilës atij do t’i lejohej qasje e lirë. Megjithatë, sipas provave që dëgjoi, SIAC gjeti që nuk ekzistonte rrezik real i keqtrajtimit të kërkuesit nga GID. Ekzistonte një mangësi për sa i përkiste “mungesës relative të përvojës dhe hapësirës” së Qendrës Adaleh: ajo do të merrte përsipër një detyrë e cila do të ishte e re për të; dhe stafi i saj nuk kishte ekspertizë në këtë drejtim, çka Qendra e kishte pranuar. Ishte një organ i ri me staf dhe burime të kufizuara, megjithëse kjo mund të zgjidhej dhe qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të merrte përsipër shpenzimet. Me rëndësi ishte vetë fakti i vizitave monitoruese, ndërkohë që mungesa e ekspertizës apo specialistëve nuk ishte fatale për vlerën e atyre vizitave.
(c) Gjetjet e SIAC në lidhje me nenin 3 të Konventës
32. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk e kontestoi shtytjen e përgjithshme të materialeve në dispozicion për sa i përket gjendjes së të drejtave të njeriut në Jordani dhe, sipas mendimit të SIAC, të dhënat e hollësishme rreth shkeljeve të të drejtave të njeriut në Jordani mbeteshin relevante për vlerësimin e rrezikut me të cilin përballej kërkuesi. Po ashtu, qeveria shprehu mendimin se nuk mund ta kthente kërkuesin në Jordani, në përputhje me detyrimet e saj ndërkombëtare, në mungesë të masave të posaçme që përmbaheshin në MiM. Sidoqoftë, SIAC e konsideroi të rëndësishme që të merreshin në konsideratë rreziqet me të cilat përballej kërkuesi duke iu referuar rrjedhës së mundshme të ngjarjeve nëse ai do të kthehej. SIAC gjeti që MiM mund të mos ishte i nevojshëm për secilin rrezik por ai e përforconte mbrojtjen në dispozicion.
33. SIAC pranoi që, nga ana tjetër, kërkuesi do të merrej në burgim nga GID dhe do të rigjykohej për dy vepra për të cilat ishte dënuar in absentia. Ai do të shoqërohej nga një përfaqësues i Qendrës Adaleh për tek vendi i burgimit të tij dhe do t’i nënshtrohej një vizite mjekësore. SIAC gjithashtu pranoi që GID do ta merrte kërkuesin në pyetje me qëllim të marrjes së një rrëfimi për t’u përdorur në gjyq dhe për qëllime të tjera të inteligjencës, megjithëse SIAC-it iu duk spekulativ fakti që GID do ta merrte kërkuesin në pyetje në lidhje me vepra të tjera në mënyrë që të ngrinte akuza të tjera kundër tij; nuk kishte prova për akuza të tjera në pritje. Po ashtu, SIAC e pranoi që Shtetet e Bashkuara do të kërkonin ta merrnin në pyetje kërkuesin dhe që kjo do të ndodhte shkurt pas arritjes së tij në Jordani. Megjithatë, nuk kishte rrezik real që neni 3 do të shkelej para përfundimit të rigjykimit.
34. Ekzistonte rrezik real për torturë dhe keqtrajtim të një “ekstremisti islamik ordiner” në burgun e GID para akuzës, meqenëse një keqtrajtim i tillë kishte qenë i përhapur për një kohë të gjatë dhe në GID ekzistonte një klimë pandëshkueshmërie dhe shmangieje nga monitorimi ndërkombëtar. Megjithatë, kërkuesi do të ishte i mbrojtur nga profili i tij i lartë, nga MiM dhe nga marrëveshja monitoruese, sidomos duke pasur parasysh që Qendra Adaleh do të tregohej shumë e zellshme për të vërtetuar aftësitë e veta dhe ajo vetë do t’i nënshtrohej mbikëqyrjes nga OJQ të tjera. Njëkohësisht, kjo do të parandalonte ndonjë rrezik real të përdorimit nga GID të taktikave siç janë refuzimet për vizita në momentin e fundit, pretendime që kërkuesi nuk dëshironte t’i takonte monitoruesit, apo lëvizja e kërkuesit në një vend tjetër pa paralajmërim. Qasja e Qendrës Adaleh po ashtu do të parandalonte burgosjen e kërkuesit pa mundësi komunikimi me të tjerë.
35. MiM po ashtu do të shërbente si kundërveprues ndaj klimës së pandëshkueshmërisë që mbizotëronte në GID dhe tolerimit të torturës nga anëtarët e tij të lartë. MiM dhe marrëveshjet monitoruese kishin përkrahjen e niveleve më të larta në Jordani – pushteti politik dhe prestigji i Mbretit të Jordanisë ishin pas Memorandumit të Mirëkuptimit – kështu që ishte e arsyeshme të mendohej se GID i kishte marrë udhëzimet lidhur me trajtimin e kërkuesit dhe [GID] duhet ta dinte se shkeljet nuk do të mbeteshin pa dënuar. Për më tepër, anëtarë të lartë të GID kishin marrë pjesë në negociatat për MiM dhe prandaj duhet t’i dinin pasojat e të vepruarit në mospërputhje me të. Edhe sikur abuzimet të ishin punë e zakonshme e oficerëve të pabindur, pozicioni i veçantë dhe i pazakontë i kërkuesit dhe ndikimi i MiM do të bënin që zyrtarët e lartë ta ndalonin keqtrajtimin në rastin e tij, edhe nëse këtë do ta bënin për interesa vetjake.
36. Marrja në pyetje nga Shtetet e Bashkuara nuk ishte e ndaluar në MiM dhe, për SIAC-in, ishte e mundur që Agjencia Qendrore e Inteligjencës së SHBA-ve (CIA) do të lejohej t’i bënte pyetje kërkuesit drejtpërdrejt në praninë e GID. Megjithatë, Mbretëria e Bashkuar do t’ia kishte bërë të qartë Shteteve të Bashkuara të Amerikës interesat e saj për t’u siguruar që MiM të mos shkelej. Autoritetet jordaneze dhe Shtetet e Bashkuara do të bënin kujdes që Shtetet e Bashkuara të mos e “kalonin masën” (“overstep the mark”). Duke presupozuar që kërkuesi do të mbetej në burgim të GID dhe nuk do t’i dorëzohej Shteteve të Bashkuara, nuk do të kishte rrezik real për keqtrajtim në fazën paragjyqësore. Po ashtu, nuk kishte gjasa që kërkuesi të vendosej në ndonjë objekt ndalimi sekret të GID apo CIA në Jordani.
37. Të njëjtët faktorë vlenin për çdo marrje në pyetje që mund të ndodhte menjëherë pas dënimit ose shpalljes të pafajshëm të kërkuesit. MiM do të vazhdonte të ishte i zbatueshëm dhe do të ishte në interes si të jordanezëve, ashtu edhe të amerikanëve që t’i zhvillonin marrjet në pyetje në mundësinë më të hershme të mundshme, në vend që të prisnin pas procesit gjyqësor. Profili i lartë i kërkuesit po ashtu u cilësua si i tillë që “nuk kishte gjasa të ndryshonte shumë për vite me radhë”.
38. Kishte pak gjasa që autoritetet jordaneze të ngrinin akuza të tjera të mëtejshme të cilat mbanin dënimin me vdekje apo kërkimin e dënimit me vdekje mbi akuzat për të cilat kërkuesi do të rigjykohej. Nga ana tjetër, nëse dënohej, kërkuesi do të përballej me një periudhë të gjatë burgimi. Ekzistonte rreziku real për dënim me burgim të përjetshëm në lidhje me komplotin e reformës dhe sfidës, megjithëse kishte edhe më shumë mundësi që ai të ishte në masë të konsiderueshme më i ulët për shkak të mënyrës në të cilën dukej se ishin reduktuar dënimet e të pandehurve të tjerë, pas apelit, deri në katër ose pesë vjet. Nuk kishte ndonjë rrezik real për dënim të përjetshëm në rigjykimin për komplotin e mijëvjeçarit. Nuk kishte rregull që do të ndalonte caktimin e një dënimi më të rëndë sesa dënimi për pesëmbëdhjetë vjet që ishte vendosur in absentia. Megjithatë, praktika e qartë ishte kundër caktimit të dënimeve më të rënda në rigjykime pas dënimeve të mëhershme in absentia dhe nuk kishte arsye që kërkuesi të shihej me sy më të pafavorshëm kur ishte i pranishëm sesa kur ishte në mungesë. Kërkuesi do ta vuante dënimin në një burg të zakonshëm dhe jo në një objekt burgu të GID; dënimi me punë të detyruar nuk përmbante konotacione të ndonjë dënimi shtesë. Kushtet e përgjithshme nuk do ta shkelnin nenin 3 dhe, megjithëse nganjëherë ndodhnin rrahje, nuk kishte prova që kërkuesi do të shënjestrohej si i burgosur politik islamik. Përsëri statusi i tij do të vepronte në mbrojtje të tij.
39. Për sa i përket transferimit, kishte “stimuj të fuqishëm” për qeverinë jordaneze dhe atë amerikane për të mos lejuar që të ndodhë një gjë e tillë, sikur edhe vetëm për vështirësitë reale politike të brendshme që kjo do të shkaktonte për qeverinë jordaneze dhe për vullnetin e Shteteve të Bashkuara që regjimi jordanez të mos destabilizohej. Çdo rast transferimi të pretenduar nga Jordania kishte përfshirë persona të nacionaliteteve të ndryshme ose, në një rast, një person me shtetësi të dyfishtë jordano-amerikane. Po ashtu, nuk kishte fare gjasa që kërkuesi të vendosej në një ndërtesë sekrete të CIA në Jordani meqenëse kjo do të kërkonte bashkëpunimin e heshtur të autoriteteve jordaneze në kundërshtim me Memorandumin e Mirëkuptimit. Po ashtu, nuk kishte gjasa që qeveria e SHBA-së do të kërkonte ekstradimin e kërkuesit nga Jordania kur nuk kishte kërkuar ekstradimin e tij nga Mbretëria e Bashkuar dhe do të kishte vështirësi politike për Jordaninë që ta miratonte një kërkesë të tillë.
(d) Gjetjet e SIAC në lidhje me nenin 5 të Konventës
40. Për sa i përket paraburgimit të kërkuesit pas zhvendosjes së tij për në Jordani, SIAC gjeti që afatet kohore për njoftimin e autoriteteve ligjore për arrestimin (dyzet e tetë orë) dhe për ngritjen formale të akuzave (pesëmbëdhjetë ditë) praktikoheshin në formë të ligjshme dhe të rregullt nga gjykatat me kërkesë të prokurorit, në harkun kohor deri në pesëmbëdhjetë ditë deri në një maksimum prej pesëdhjetë ditësh. Prandaj, do të ishte në përputhje me ligjin jordanez që kërkuesi të mbahej në paraburgim për pesëdhjetë ditë pa dalë fizikisht para gjykatës para se të akuzohej formalisht. Shtyrje të tilla miratoheshin nga një autoritet gjyqësor, megjithëse jo domosdoshmërisht në praninë fizike të të dyshuarit.
41. SIAC vërejti që MiM nuk kërkonte në mënyrë specifike që të mos kishte shtyrje të afateve kohore përtej paraburgimit fillestar pesëmbëdhjetë-ditor por kërkonte që një person i kthyer të sillej menjëherë para një gjykatësi apo një personi tjetër të autorizuar me ligj për të përcaktuar ligjshmërinë e paraburgimit të tij. Megjithëse “menjëherë” nuk përkufizohej në MiM, SIAC gjeti që kjo pjesë në MiM të zbatohej, sidomos duke pasur parasysh që kjo është një nga fazat fillestare në të cilat do të hynte në funksion MiM, dhe që paraqitja e parë e kërkuesit para një autoriteti gjyqësor do të ndodhte brenda dyzet e tetë orëve. Nuk do të kishte shkelje të MiM nëse kërkuesi do të paraburgosej për një periudhë maksimale prej pesëdhjetë ditësh, me anë të shtyrjeve pesëmbëdhjetë-ditore të miratuara nga gjyqësori, ose nëse ai do të mungonte kur këto vendimet e fundit të ishin marrë. Megjithatë, në realitet periudha totale prej pesëdhjetë ditësh nuk kishte gjasa të kërkohej, edhe pa MiM, sepse kërkuesi përballej me rigjykim dhe dosjet e çështjes tashmë kishin kaluar disa herë nëpër një proces gjyqësor dhe proces apeli.
(e) Gjetjet e SIAC në lidhje me nenin 6 të Konventës
42. SIAC e kishte të qartë që dënimet e mëparshme të kërkuesit do të viheshin mënjanë dhe që ai do të përballej me rigjykim para Gjykatës së Sigurimit të Shtetit në lidhje me të njëjtat akuza.
43. Përveç dy kontestimeve të tij ndaj procesit të rigjykimit (paanshmëria e Gjykatës së Sigurimit të Shtetit dhe përdorimi i provave të marra përmes torturës), kërkuesi gjithashtu argumentoi që ai do të merrej në pyetje në paraburgim pa praninë e avokatit nga GID, zyrtarëve të SHBA apo Prokurorit Publik. Ky i fundit kishte fuqi sipas nenit 64 § 3 të Kodit të Procedurave Penale Gjyqësore në Jordani të zhvillonte hetime në mungesë të avokatit “kurdo që ai e [vlerësonte] të nevojshme me qëllim që të zbulonte të vërtetën”. Vendimi nuk iu nënshtrua rishikimit, megjithëse SIAC gjithashtu vërejti që një rrëfim para Prokurorit Publik nuk ishte i pranueshëm nëse individi nuk ishte paralajmëruar që nuk ishte i detyruar t’u përgjigjej pyetjeve pa praninë e avokatit të vet. SIAC mendoi që nuk kishte gjasa që kërkuesi ta kishte të pranishëm avokatin gjatë marrjes në pyetje nga GID apo zyrtarët e SHBA por kishte mjaft gjasa që ai ta kishte avokatin aty gjatë paraqitjes para një gjyqtari apo Prokurori Publik. Për sa i përket përgatitjeve para-gjyqësore nga mbrojtja, periudha dhe mjetet në dispozicion do të ishin më të pakta sesa në Mbretërinë e Bashkuar por sidoqoftë më të mira sesa ato që janë normalisht në dispozicion në Jordani.
44. Për sa i përket mungesës së pavarësisë dhe paanshmërisë së Gjykatës së Sigurimit të Shtetit, SIAC gjeti që trupi gjykues do të përbëhej nga tre gjyqtarë, të paktën dy prej të cilëve do të ishin oficerë ushtarakë ligjërisht të kualifikuar pa garanci të vazhdimësisë së postit. Edhe Prokurori Publik do të ishte oficer ushtarak. Apeli do t’i drejtohej Gjykatës së Kasacionit, gjykatë civile, megjithëse kjo gjykatë nuk mund të dëgjonte argumente lidhur me ndonjë padrejtësi në procesin gjyqësor për shkak të përbërjes ushtarake të Gjykatës së Sigurimit të Shtetit.
45. Për sa i përket përdorimit të mundshëm të provave të marra përmes torturës në rigjykimin e kërkuesit, SIAC gjeti si vijon:
“418. Sistemi ligjor i Jordanisë, sipas terminologjisë së vet, nuk e lejon pra përdorimin e rrëfimeve të pavullnetshme apo deklaratave inkriminuese. Para se të pranohen provat, ndërmerret një shqyrtim juridik i akuzave të asaj natyre. Vetë ato akuza mund të testohen me anë të provave. Masa deri ku këto akuza mund të testohen praktikisht varet nga karakteristika të caktuara të sistemit. Barra e provës për përjashtimin e rrëfimeve dhënë Prokurorit varet nga i pandehuri. Ka vështirësi të qarta në vërtetimin e akteve apo kërcënimeve paraprake nga GID në mungesë të sistemeve të regjistrimit të marrjes në pyetje, të sigurimit të pranisë së avokatëve gjatë marrjes në pyetje, dhe të ekzaminimeve mjekësore të pavarura dhe të menjëhershme. Ka gjasa që të ketë mosdashje të konsiderueshme nga ana e Gjykatës për të pranuar që rrëfimet dhënë Prokurorit, burim i zakonshëm provash, janë të njollosura nga keqtrajtime. Gjykata apo Prokurori nuk duken të përgatitur të nxisin paraqitjen e zyrtarëve nga GID për të dëshmuar në lidhje me këto pretendime. Është e mundur që këto pretendime bëhen rëndom, si pjesë e strategjisë së mbrojtjes.
419. Ka shumë mundësi që të ekzistojë një vullnet më i madh për të testuar natyrën e rrëfimeve të dhëna vetëm gjatë marrjes në pyetje nga GID. Ka prova që të paktën në nivelin e Gjykatës së Kasacionit, rrëfimet që pretendohej të ishin marrë përmes torturës ishin përjashtuar (megjithëse nuk është e qartë nëse ato ishin dhënë para GID apo para Prokurorit).
420. Megjithatë, provat pararendëse në përgjithësi dhe provat specifike të dy gjyqeve në fjalë tregojnë që ekziston të paktën një rrezik shumë real që deklaratat inkriminuese kundër [kërkuesit] ishin marrë si pasojë e trajtimit nga GID i cili kishte shkelur nenin 3 të KEDNJ-së; mund të ketë shkuar ose jo deri në torturë. Është shumë e pamundshme që ato deklarata do të përjashtoheshin në rigjykim, sepse SSCt [Gjykata e Sigurimit të Shtetit] nuk ka gjasa të bindet që ato deklarata janë marrë në atë formë, sidomos pasi tashmë e kishin refuzuar atë konstatim që në vendimet e mëparshme, sado që dhënësit e tyre mund të jepnin prova që ato ishin marrë në atë formë dhe ishin në fakt të pavërteta.”
Prandaj, kishte shumë gjasa që të pranoheshin deklaratat e kaluara dhënë Prokurorit Publik të cilat inkriminonin kërkuesin. Më tej SIAC gjeti që ato deklarata do të kishin rëndësi të konsiderueshme, mbase vendimtare, kundër tij. Lidhur me këtë aspekt të rigjykimit, SIAC u shpreh:
“439. Për ne, çështja kthehet prapë tek fakti nëse është apo jo e padrejtë që barra e provës në Jordani të bjerë aty ku bie në lidhje me këtë pikë; ne nuk mendojmë që kjo është e padrejtë në vetvete. Megjithatë, kjo barrë e provës nuk duket të jetë e shoqëruar nga disa prej mbrojtjeve themelore ndaj keqtrajtimit paraprak apo mënyrave për të ndihmuar vërtetimin e saj, p.sh. video regjistrime apo incizime të tjera të marrjes në pyetje nga GID, periudha të caktuara të paraburgimit për marrje në pyetje, prania e pandryshueshme e avokatëve, ekzaminimet mjekësore rutinore, përkrahje nga Gjykata për të thirrur zyrtarët apo mjekët e duhur. Po ashtu, vendimet merren nga një gjykatë së cilës i mungon pavarësia dhe nuk duket se i shqyrton thellë apo me zellin e duhur pretendimet e kësaj natyre. Marrja në konsideratë e këtyre çështjeve në kombinim na shpie drejt përfundimit që procesi gjyqësor me gjasë do të ishte i padrejtë brenda nenit 6 për shkak të mënyrës se si do të konsideroheshin pretendimet lidhur me dëshmitë e pavullnetshme.”
46. SIAC konkludoi që, pavarësisht nga gjetjet e tij në lidhje me pavarësinë dhe paanshmërinë e Gjykatës së Sigurimit të Shtetit dhe rrezikut real të pranimit të provave të marra në kundërshtim me nenin 3, nuk do të ishte mohim flagrant i drejtësisë sipas nenit 6 të Konventës nëse kërkuesi gjykohej në Jordani. SIAC deklaroi që rigjykimi do të zhvillohej “brenda një kornize ligjore që mbulonte sistemin e gjykatave, rregullat procedurale dhe veprat”, kërkuesi do të ishte i pranishëm, dhe gjyqi do të zhvillohej në prani të publikut. Dosja nga gjyqi fillestar do të dilte para trupit gjykues në rigjykim por kërkuesi kishte mundësinë të kontestonte përmbajtjen e saj në mënyrë efektive. Ekzekutimi i Z. Al-Jeramaine dhe vështirësitë me të cilat përballeshin dëshmitarët e tjerë, posaçërisht Abu Hawsher, nuk do ta bënin rigjykimin të padrejtë. SIAC doli në përfundim që:
“446. Ne e pranojmë mungesën e pavarësisë institucionale në SSCt. Mungesa e pavarësisë së gjyqtarëve në SSCt qëndron në strukturë dhe në sistem. Nuk ka prova që tregojnë arsyet përse në çështje të caktuara zgjidhen gjyqtarë të caktuar, apo nëse ata janë ‘nën presion’. Por SSCt nuk është thjesht një vegël e ekzekutivit: ka prova të forta që ajo bën vlerësimin e provave dhe i teston ato karshi ligjit, dhe shfajëson disa të pandehur. Me kalimin e kohës kjo i ka reduktuar dënimet.
447. Gjyqtarët e saj kanë shkollim në fushën e drejtësisë dhe janë juristë ushtarakë të karrierës. Ka bazë shumë të kufizuar përtej saj për të thënë që ata do të ishin të njëanshëm, dhe nuk ka qenë kjo pjesa më e rëndë e ankesës. Prapavija e tyre mund t’i bëjë skeptikë ndaj pretendimeve për abuzime nga GID që ndikojnë tek deklaratat dhënë Prokurorit. Ata instinktivisht mund të kenë pikëpamjen e përbashkët që pretendimet për keqtrajtime janë pjesë e zakonshme e argumenteve të mbrojtjes për të justifikuar inkriminimin e të tjerëve. Korniza ligjore është e ndërtuar tepër dobët për të dalluar dhe për të vepruar drejt adresimit të pretendimeve për abuzime. Mënyra se si ajo i qaset pranimit të provave, sipas materialeve që kemi, nuk tregon se ka këqyrje të kujdesshme ndaj provave mbase të njollosura. Rigjykimit do t’i kushtohej vëmendje publike e konsiderueshme dhe gjyqet publike mund të nxisin kujdes dhe paanshmëri më të madhe në shqyrtimin e provave. Ky nuk do të ishte thjesht një gjyq sa për shfaqje, as gjyqet e mëparshme nuk ishin të tilla; as rezultati nuk do të ishte një përfundim i sakrifikuar, pavarësisht nga provat.
448. Për vendimet e marra jepen arsye, dhe ekziston mundësia e apelit në Gjykatën e Kasacionit. Fakti që një apel i tillë nuk mund të zgjidhë mungesën e pavarësisë në SSCt nuk është arsye për hedhjen poshtë të ekzistencës së saj në vlerësimin e gjithmbarshëm të faktit nëse do të kishte mohim të plotë të të drejtave të nenit 6. Kjo Gjykatë është gjykatë civile dhe provat e marra si pasojë e ndikimit të paduhur ekzekutiv përmes vendosjes apo heqjes janë tejet të rralla. Sërish, nuk ka prova që tregojnë se si zgjidhen trupat gjykuese të saj, e as nuk ka prova që ata të jenë ‘nën presion’ nga ekzekutivi. Ajo thjesht operon si mekanizëm korrigjues i vendimeve të SSCt në aspektin ligjor dhe procedural, dhe ka njëfarë relevance në çështjet faktike, megjithëse nuk i dëgjon provat nga fillimi apo nuk ka juridiksion faktik të plotë përveç se në lidhje me apelet e Prokurorit. Dënimet e mundshme nuk janë krejtësisht në shproporcion me veprat.
449. Kemi diskutuar gjatë në lidhje me qasjen e SSCt-së ndaj pranimit të deklaratave që pretendohet t’i jenë dhënë prokurorit si rezultat i keqtrajtimit. Pavarësisht nga pikëpamja jonë që një kontribut faktorësh mbase do ta bënte rigjykimin të padrejtë në këtë aspekt, ato nuk përbëjnë mohim të plotë të një gjyqi të drejtë. Ekzistimi i një ndalimi ligjor të pranueshmërisë së provave të tilla nuk mund të injorohet, e as fakti që SSCt do t’i dëgjonte provat në lidhje me pretendime të tilla. Roli i Gjykatës së Kasacionit në shqyrtimin dhe nganjëherë rrëzimin e konkluzioneve të SSCt-së në lidhje me këtë pikë është material. Domosdoshmëria e mekanizmave mbrojtëse në aspektin e provave dhe procedurave për të ekuilibruar barrën e provës, dhe tendenca e mundshme ndaj deklaratave dhënë një prokurori/gjyqtari në një sistem të së drejtës civile, e gjitha në një gjykatë sigurimi ku mbizotërojnë juristët ushtarakë, nuk mjaftojnë për mohim të plotë të drejtësisë.
450. Ekziston rreziku, duke pasur parasysh fokusin e pashmangshëm mbi atë që thuhet të jetë potencialisht e padrejtë lidhur me rigjykimin, i përqendrimit ekskluziv tek mangësitë gjatë marrjes së vendimit nëse do të kishte mohim total të së drejtës për gjyq të drejtë, në vend të shikimit të krejt procesit gjyqësor në tërësi. Sidoqoftë kjo është ajo që duhet bërë dhe është kjo pamje si një e tërë që na ka sjellë drejt përfundimit në lidhje me këtë çështje.
451. Faktorët e ndryshëm që kanë gjasë të jenë arsyeja për të cilën rigjykimi do të shkaktonte shkelje të nenit 6 janë të ndërlidhur në masë të konsiderueshme. Shqyrtimi i tërësishëm i tyre nuk na bind që ka rrezik real të mohimit të plotë të së drejtës për gjyq të drejtë.”
47. Në fund, ndërkohë që ekzistonte perspektiva reale e një burgimi afatgjatë, kjo nuk e ndryshoi përfundimin e SIAC që natyra e përgjithshme e rigjykimit nuk do të ishte mohim i plotë i të drejtave të kërkuesit.
2. Procedurat para Gjykatës së Apelit
48. Kërkuesi apeloi në Gjykatën e Apelit, e cila dha vendimin më 9 prill 2008, duke e lejuar apelin njëzëri në lidhje me nenin 6 dhe rrezikun e përdorimit të provave të marra në kundërshtim me nenin 3 dhe duke e rrëzuar atë në të gjitha aspektet e tjera ([2008] EWCA Civ 290).
49. Për ankesat e kërkuesit nga neni 3 për sa i përket përdorimit të provave të mbyllura nga SIAC dhe mbështetjen tek garancitë e MiM, Gjykata e Apelit konsideroi që ishte e detyruar nga vendimet e saj të mëparshme në lidhje me këto aspekte në çështjen MT (Algjeri), RB (Algjeri), U (Algjeri) kundër Sekretarit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme [2007] EWCA Civ 808, ku ajo kishte gjetur që: (i) SIAC mund të shqyrtonte prova të mbyllura në lidhje me sigurinë dhe kthimin; dhe (ii) relevanca e garancive për siguri pas kthimit ishte çështje faktesh, jo ligji, kështu që ajo nuk kishte juridiksion për shqyrtimin e ankesës mbi atë bazë. Po ashtu, Gjykata e Apelit kundërshtoi edhe apelet e kërkuesit mbi bazën e nenit 5, duke gjetur që SIAC ishte i autorizuar për gjetjet që kishte konstatuar.
50. Për nenin 6, Gjykata e Apelit e refuzoi argumentin e kërkuesit që ekzistonte rrezik real i “mohimit flagrant të drejtësisë” në rigjykimin e tij në Jordani për shkak të mungesës së pavarësisë dhe/ose paanshmërisë së Gjykatës së Sigurimit të Shtetit: SIAC kishte qenë i autorizuar për gjetjet që kishte konstatuar në lidhje me këtë pikë dhe ky përfundim nuk u ndryshua nga vendimi i mëvonshëm i kësaj Gjykate në çështjen Al‑Moayad kundër Gjermanisë (dec.), nr. 35865/03, 20 shkurt 2007.
51. Megjithatë, Gjykata e Apelit e pranoi argumentin e kërkuesit që ekzistonte rrezik real që ai do të vuante një “mohim flagrant të drejtësisë” për shkak të rrezikut që deklaratat e marra përmes trajtimit në kundërshtim me nenin 3 do të pranoheshin si provë kundër tij në procesin e rigjykimit të tij. Gjykata e Apelit vërejti:
“45. SIAC e ka nënvlerësuar ose keqkuptuar natyrën themelore në të drejtën e Konventës për ndalimin e përdorimit të provave të marra përmes torturës. Përfaqësuesi i Sekretarit të Shtetit tha që nuk bënte pjesë në parashtresën e tij thënia se nëse është e qartë që procesi gjyqësor do të zhvillohet mbi bazën e provave të marra përmes torturës, qoftë nga vetë individët, apo nga palë të treta, që kjo nuk do të përbënte mohim flagrant të drejtësisë. Rrjedhimisht, pasi SIAC kishte gjetur si fakt që kishte probabilitet të lartë që provat shumë thjesht mund të ishin marrë me anë të torturave (SIAC, § 436); ose në lidhje me të cilat ekzistonte një rrezik shumë real që të ishin marrë me anë të torturës apo sjelljeve të tjera që shkelnin nenin 3 (SIAC, § 437); do të pranoheshin në gjyqin e Z. Othman; atëherë SIAC duhet të bindej që prova të tilla do të përjashtoheshin ose nuk do të merreshin si bazë për veprime të tjera. Bazat mbi të cilat u mbështet SIAC për të mos gjetur kërcënimin për shkelje të nenit 6 në atë aspekt ishin të pamjaftueshme.
46. E theksojmë që kjo nuk është, ose të paktën jo kryesisht, kritikë e arsyetimit të SIAC për sa i përket racionalitetit, megjithëse e kemi parasysh edhe më tej që konkluzionet e SIAC nuk vijuan racionalisht nga gjetjet e tij në fakte. Përkundrazi, gjetja jonë kryesore është që SIAC ka gabuar duke zbatuar një test jo aq kërkues sa duhet për të përcaktuar nëse do të shkeleshin të drejtat nga neni 6.
...
48. Përdorimi i provave të marra përmes torturës është i ndaluar sipas të drejtës në Konventë jo vetëm sepse një gjë e tillë do ta bënte gjyqin të padrejtë, por gjithashtu dhe posaçërisht për shkak të lidhjes së çështjes me nenin 3, një ndalim themelor, pa kushte dhe i paderogueshëm që ndodhet në qendër të mbrojtjeve të Konventës. Siç e shpreh GJEDNJ në § 105 të vendimit të saj në çështjen Jalloh kundër Gjermanisë 44 EHRR 32:
‘provat inkriminuese – qoftë në formë rrëfimi apo prova reale – të marra si rezultat i akteve të dhunës ose brutalitetit apo formave të tjera të trajtimit të cilat do të karakterizoheshin si torturë – nuk duhet të përdoren kurrë si bazë për prova të fajësisë së viktimës, pavarësisht nga vlera e tyre provuese. Çdo përfundim tjetër do të shërbente vetëm për të legjitimuar në mënyrë indirekte sjelljen moralisht të dënueshme të cilën autorët e nenit 3 të Konventës synonin të ndalonin apo, siç shprehet aq mirë në vendimin e Gjykatës Supreme të SHBA në çështjen Rochin [342 US 165], “të lejohet që brutaliteti të veshë mantelin e ligjit”.
Kjo pikëpamje, pra që përdorimi i provave të marra përmes torturës ose keqtrajtimit është i ndaluar jo vetëm, ose në fakt kryesisht, për shkak të gjasave të pabazueshmërisë, por për shkak se Shteti duhet të mbajë qëndrim të paepur kundër sjelljes që i ka prodhuar provat, njihet universalisht si brenda së drejtës së Konventës ashtu edhe jashtë saj.
Ajo çka, me gjithë respektin e duhur, përbën një deklaratë mjaft të fortë në atë drejtim, për të cituar një sërë autoritetesh po aq fuqishëm të artikuluara, gjendet në § 17 të fjalës së Lordit Bingham në çështjen A. kundër Sekretarit të Brendshëm (nr. 2) [2006] 2 AC 221.
49. SIAC gaboi kur nuk njohu dallimet thelbësore mes shkeljeve të nenit 6 mbi këtë bazë dhe shkeljeve të nenit 6 thjesht mbi bazën e defekteve të procesit gjyqësor ose përbërjes së trupit gjykues. Ndërkohë, tek përfundimet në §§ 442-52 të vendimit të tij ... ai e trajtoi përdorimin e mundshëm të provave të marra përmes torturës pari passu me ankesat në lidhje me pavarësinë e gjykatës: shih në mënyrë të veçantë SIAC tek §§ 449-50. Kjo shkaktoi që SIAC të mos njihte shkallën e lartë të sigurisë që kërkohet gjatë procedurave në një Shtet të huaj para se një person të dëbohet në mënyrë të paligjshme për t’u përballur me një gjyq që mund të përfshijë prova të marra përmes torturës.”
52. Gjykata e Apelit vërejti që SIAC kishte arritur në përfundimin e tij që nuk do të kishte mohim të plotë të drejtësisë në lidhje me përdorimin e provave të marra përmes torturës nëse bazoheshin në procesin, edhe pse jo krejtësisht të kënaqshëm, para Gjykatës së Sigurimit të Shtetit dhe Gjykatës së Kasacionit. Për Gjykatën e Apelit ai përfundim nuk përkonte fare me gjetjet e vetë SIAC në lidhje me procesin e Gjykatës së Sigurimit të Shtetit, posaçërisht shqetësimi i vetë SIAC në lidhje me vështirësitë e vërtetimit që provat janë marrë përmes torturës. Sipas mendimit të Gjykatës së Apelit, shqetësimi i SIAC ishte “bollshëm i justifikuar nga litania e mungesës themelore të mbrojtjeve kundër keqtrajtimit paraprak” në Jordani. Gjithashtu, ajo kritikoi “dështimin shqetësues” të SIAC në dhënien e peshës së duhur gjetjeve lidhur me defektet në Gjykatën e Sigurimit të Shtetit. Gjykata e Apelit konkludoi:
“Nuk i takonte SIAC që të konkludonte bazuar mbi ato prova që rreziku i mohimit të plotë të drejtësisë që përfaqësohet nga përdorimi i provave të marra përmes torturës ishte përjashtuar sa duhet. SIAC nuk mund të kishte arritur në këtë përfundim sikur ta kishte kuptuar drejt statusin e këtij aspekti të nenit 6 në të drejtën e Konventës.”
3. Procedurat para Dhomës së Lordëve
53. Sekretari i Shtetit apeloi tek Dhoma e Lordëve në lidhje me përfundimin e Gjykatës së Apelit në lidhje me nenin 6. Kërkuesi kundërapeloi në lidhje me ankesat e tij të tjera në kuadër të Konventës. Apeli u dëgjua bashkë me apelet e dy prej apeluesve në çështjen MT kundër (Algjerisë), konkretisht RB dhe U (shih paragrafin 48 lart). Kështu, në apelet e bashkuara Dhoma e Lordëve shqyrtoi materialin e mbyllur para SIAC, mbështetjen tek garancitë e përmbajtura në MiM dhe ankesat e kërkuesit në lidhje me nenet 5 dhe 6. Dhoma e Lordëve e shpalli vendimin më 18 shkurt 2009 duke lejuar njëzëri apelin e Sekretarit të Shtetit dhe duke hedhur poshtë kundërapelin e kërkuesit ([2009] UKHL 10).
(a) Neni 3 i Konventës: procedurat “e mbyllura” para SIAC
54. Lordi Phillips u shpreh që SIAC ishte i autorizuar me ligj të shqyrtonte materialet e mbyllura për të vlerësuar sigurinë pas kthimit dhe për këtë kishte arsye të forta në aspektin e politikave. Duhet të bëhej dallimi mes materialit të mbyllur lidhur me sigurinë pas kthimit dhe përdorimit të materialit të mbyllur në procedura të tjera, për shembull në përcaktimin e kërcënimit ndaj sigurisë kombëtare që paraqet një individ. Në rastin e parë, individi normalisht do të ishte i vetdijshëm për natyrën e çdo rreziku me të cilin përballej pas kthimit dhe, sidoqoftë, i takonte vetë individit, e jo Shtetit, të paraqiste argumente për të vërtetuar nëse do të ishte i rrezikuar pas kthimit. Nuk kishte gjasa të ishte me rëndësi kritike që një avokat i posaçëm të ishte në gjendje të merrte të dhëna lidhur me provat e mbyllura nga personi që do të dëbohej. Për sa i përket faktit që gjetja e një dëshmitari të duhur ekspert me autorizim sigurie ishte jopraktike, Lordi Phillips nuk e pa problemin si të padrejtë. Rregullat e procedurës së SIAC i mundësonin avokatit të posaçëm të kërkonte më shumë prova dhe SIAC, si tribunali ekspert, pritej që “të bënte një vlerësim realist të materialit të mbyllur nën dritën e parashtresave të avokatëve të posaçëm”. Për sa u përket garancive, Lordi Phillips mbështeti pikëpamjen që garancitë e përmbajtura në MiM duhet të bëheshin të ditura por hollësitë e negociatave që shpunë deri tek MiM mund të ishin pjesë e materialit të mbyllur.
55. Lordi Hoffmann e refuzoi argumentin e kërkuesit mbi bazën më themelore të faktit që ai e shihte praktikën gjyqësore të kësaj Gjykate si e tillë që e bënte të qartë se vendimi lidhur me faktin nëse një urdhër dëbimi mund të shkelte nenin 3 nuk kërkonte “mburojën e plotë juridike të nenit 6 e as të 5 § 4”. Duke iu referuar Chahal, cituar lart, ai theksoi që gjithë ajo që kërkohej ishte “këqyrja e pavarur e pretendimit”, çka kishte ndodhur në rastin e kërkuesit.
56. Lordi Hope qe dakord, megjithëse e pranoi që kjo Gjykatë ende nuk kishte pasur mundësinë të analizonte nëse sistemi i SIAC i përmbushte kriteret e Konventës. Sipas mendimit të tij, ai i përmbushte. Edhe Lordi Brown ishte dakord, duke theksuar që, për sa i përket sigurisë pas kthimit, nuk kishte asnjë argument kundër kërkuesit; ishte ai vetë që po ngrinte argumente kundër Shtetit kthyes.
(b) Neni 3: garancitë dhe MiM
57. Lordi Phillips (me të cilin Lordët e tjerë të Drejtësisë ishin dakord) u nis nga praktika gjyqësore e kësaj Gjykate në Mamatkulov dhe Askarov, cituar lart, e në vazhdim si trajtim i garancive “si pjesë e modelit që duhet marrë në konsideratë” gjatë marrjes së vendimit lidhur me faktin nëse ka pasur baza të konsiderueshme për të besuar se kërkuesi do të përballej me trajtim në kundërshtim me nenin 3. Ai iu referua “bollëkut” të materialit mbi të drejtën ndërkombëtare, i cili mbështeste pohimin që garancitë duhet të trajtohen me skepticizëm nëse ato janë dhënë nga një vend ku trajtimi çnjerëzor nga agjentët e Shtetit është shumë i përhapur. Megjithatë, për Lordin Phillips kjo “i afrohej logjikës së një rrethi vicioz, nëse është e nevojshme të kërkosh garanci atëherë nuk mund të mbështetesh në to”. Duke e refuzuar këtë pohim, ai u shpreh që e vetmja bazë për të ndërhyrë tek pikëpamja e SIAC ishte nëse përfundimet e tij që garancive duhet t’i besohej ishin të paarsyeshme dhe përfundimet e SIAC në rastin konkret nuk ishin të tilla.
(c) Neni 5 i Konventës
58. Dhoma e Lordëve njëzëri refuzoi të ndërhynte tek gjetjet faktike nga SIAC sipas të cilave nuk do të dilte fakti që kërkuesi do të përballej, sipas ligjit jordanez, me pesëdhjetë ditë paraburgim pa qasje në gjykatë apo avokat. Lordi Phillips gjeti që, edhe nëse do të dilte ky fakt, paraburgimi prej pesëdhjetë ditësh nuk do të përbënte shkelje flagrante të nenit 5. Shkelje flagrante ishte shkelja pasojat e së cilës ishin kaq të ashpra saqë ato kapërcenin mbi të drejtën e një Shteti për të nxjerrë një të huaj jashtë territorit të vet. Kjo mund të zgjidhej me anë të paraburgimit arbitrar për shumë vite me radhë, por jo me paraburgim pesëdhjetë ditësh.
(d) Neni 6 i Konventës
59. Në lidhje me nenin 6, duke e parë testin si të atillë që do të përcaktonte nëse do të kishte “mohim apo anulim të plotë” të së drejtës për gjyq të drejtë, Lordi Phillips vërejti:
“136. Ky test nuk është as i lehtë e as i përshtatshëm për të përcaktuar nëse neni 6 duhet të ndalojë dëbimin e një të huaji. Pikësëpari, nuk është e lehtë të merret si e mirëqenë se çfarë përbën ‘mohim apo anulim të plotë të së drejtës për gjyq të drejtë’. Ajo frazë nuk mund të kërkojë që çdo aspekt i procesit gjyqësor të jetë i padrejtë. ... Ajo që kërkohet është që mangësia ose mangësitë në procesin gjyqësor të jenë të tilla që të shkatërrojnë në themel drejtësinë e vendimit të pritur.
137. Së dyti, fakti që i dëbuari mund të bëhet, në vendin pranues, subjekt i një procesi ligjor që është me të madhe i padrejtë nuk mundet, në vetvete, të justifikojë vendosjen e embargos ndaj dëbimit të tij. Fokusi nuk duhet të jetë thjesht vetëm tek padrejtësia e procesit gjyqësor por edhe tek pasojat e mundshme të tij. Një gjyq i padrejtë ka gjasa të çojë drejt shkeljes së të drejtave substantive të njeriut dhe shkalla e asaj shkeljeje potenciale duhet të jetë dukshëm faktor i rëndësishëm në marrjen e vendimit nëse dëbimi është i përjashtuar.”
60. Pas shqyrtimit të praktikës gjyqësore relevante të kësaj Gjykate, përfshirë çështjen Bader dhe Kanbor kundër Suedisë, nr. 13284/04, § 42, ECHR 2005‑XI, të cilën e mori si shembull të nevojshmërisë së marrjes në konsideratë të rrezikut të shkeljes së nenit 6 në kombinim me nene të tjera siç janë nenet 2 dhe 3, Lordi Phillips gjeti:
“Jurisprudenca e Strasburgut, sado që është jo-shteruese, më ka shpënë drejt këtyre përfundimeve. Para se dëbimi i një të huaji të arrijë të shkelë nenin 6, duhet të ketë baza substanciale për të besuar se ekziston rrezik real (i) që do të ketë shkelje themelore të parimeve të gjyqit të drejtë të garantuar me nenin 6, dhe (ii) që ky dështim do të shpjerë drejt një keqadminstrimi të drejtësisë i cili në vetvete përbën shkelje flagrante të të drejtave themelore të viktimës.”
61. Në rastin konkret, kushti i dytë përmbushej nga dënimet potenciale në burg me të cilat kërkuesi përballej. Për sa i përket kushtit të parë, Lordi Phillips arriti në përfundimin që, megjithëse përbërja ushtarake e Gjykatës jordaneze të Sigurimit të Shtetit do ta zhvillonte gjyqin në kundërshtim me nenin 6 po të mbahej në një Shtet të Konventës, ai ishte dakord me SIAC dhe Gjykatën e Apelit që kjo nuk mund të përbënte “mohim flagrant të drejtësisë” të mjaftueshëm për të parandaluar dëbimin në rastin e zhvendosjes.
62. Për sa i përket ankesës së kërkuesit që ekzistonte rrezik i dyfishtë që provat kundër tij të ishin marrë përmes torturës, Lordi Phillips u shpreh që Gjykata e Apelit kishte gabuar. Ajo kishte kërkuar një shkallë tepër të lartë sigurie që provat që mund të ishin marrë përmes torturës nuk do të përdoreshin në gjyq jashtë vendit. Ai deklaroi:
“Ndalimi i pranimit të provave të marra përmes torturës nuk bëhet kryesisht për shkak se faktin që këto prova nuk janë të besueshme apo për shkak se pranimi i provave do ta bënte gjyqin të padrejtë. Ai bëhet për shkak se ‘Shteti duhet të mbajë qëndrim të vendosur kundër sjelljes si pasojë e së cilës kanë dalë këto prova’. Ky parim zbatohet nga Shteti në të cilin bëhen përpjekje për të nxjerrë prova të tilla. Ai nuk kërkon që ky Shtet, Mbretëria e Bashkuar, të vazhdojë të mbajë brenda vendit, në dëm të sigurisë së vet kombëtare, një të dyshuar terrorist, përveç se nëse do të kishte një shkallë të lartë sigurie që provat e marra përmes torturës nuk do të nxirren kundër tij në Jordani ... Çështja para SIAC ishte nëse kishte baza të arsyeshme për të besuar që nëse Z. Othman do të dëbohej për në Jordani gjyqi penal i cili e priste atje do të kishte defekte të një domethënieje të tillë saqë do të shkatërronte në themel drejtësinë e gjyqit të tij ose, siç u shpreh SIAC, do të shkonte deri tek mohimi i plotë i së drejtës për gjyq të drejtë. SIAC arriti në përfundimin që mangësitë që SIAC kishte identifikuar nuk e kalonin atë test kërkues. Unë nuk gjej që me ardhjen drejt këtij përfundimi SIAC ka gabuar për sa i përket aspektit të ligjit.”
63. Lordi Hoffman gjeti që nuk kishte autoritet të Konventës për rregullën që, në kontekstin e zbatimit të nenit 6 në kushtet e një çështjeje të zhvendosjes, rreziku i përdorimit të provave të marra përmes torturës domosdoshmërisht shpinte tek mohimi flagrant i drejtësisë.
64. Lordi Hope ishte dakord. Ai e pranoi që kjo Gjykatë ka ndërmarrë një “qasje të pakomprometueshme” ndaj përdorimit në gjyq të provave të marra përmes torturës por provat para SIAC nuk arritën deri tek ai standard. Kishte pretendime por jo prova. Konstatimi që ekzistonte rrezik real që provat ishin marrë përmes torturës nuk ishte i mjaftueshëm për të ndaluar zhvendosjen. Ai kujtoi gjetjet e SIAC që rigjykimi me gjasë nuk do të zhvillohej në përputhje me nenin 6 nëse Jordania do të ishte palë në Konventë por do të zhvillohej brenda një kornize të ndërtuar ligjërisht. Kishte prova të qëndrueshme që Gjykata e Sigurimit të Shtetit, e cila nuk ishte thjesht një vegël e ekzekutivit, i kishte vlerësuar provat dhe i kishte testuar ato sipas ligjit. Prandaj SIAC kishte qenë i autorizuar të dilte me gjetjet që deklaroi në lidhje me provat.
65. Lordi Brown ishte dakord me Lordin Phillips dhe, duke iu referuar shumicës në Dhomën e Madhe në çështjen Mamatkulov dhe Askarov, cituar lart, deklaroi: “nëse ekstradimi nuk do të ishte i paligjshëm edhe në rrethanat atje, sipas gjykimit tim dëbimi pa dyshim që nuk është i paligjshëm në rrethanat e tanishme.”
66. Lordi Mance, i cili ishte dakord me Lordët e tjerë të Drejtësisë lidhur me nenin 6 dhe të gjitha pikat e tjera të apelit, vuri në dukje një ngjashmëri të konsiderueshme mes konceptit të “padrejtësisë flagrante” në praktikën gjyqësore të Gjykatës dhe konceptit të mohimit të drejtësisë në të drejtën ndërkombëtare publike në përgjithësi. Në lidhje me këtë të fundit, konsensusi modern ishte që rrethanat faktike duhet të ishin skandaloze në mënyrë që përgjegjësia e Shtetit të ngrihej nën prizmin e së drejtës ndërkombëtare.
II. LIGJI DHE PRAKTIKA RELEVANTE VENDASE
...
B. Praktika e SIAC në lidhje me garancitë
73. Përveç Jordanisë, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka negociuar MiM për qëllime garancie me Etiopinë, Libanin dhe Libinë. Ajo ka negociuar një marrëveshje kornizë për marrjen e garancive nga Algjeria. SIAC ka dëgjuar apele nga shtatëmbëdhjetë individë të cilët qeveria kërkonte t’i dëbonte mbi bazën e këtyre garancive. SIAC i ka shqyrtuar këto apele secilin sipas çështjes së vet por qasja e përgjithshme e ndërmarrë nga SIAC në lidhje me garancitë është shprehur në çështjen BB. kundër Sekretarit të Shtetit pranë Ministrisë së Brendshme, vendimi i SIAC i datës 5 dhjetor 2006, § 5, ku ai gjeti që, para se garancitë të hiqnin rrezikun real të keqtrajtimit, duhet të përmbusheshin katër kushte:
(i) kushtet e garancive duhet të ishin të tilla që, nëse do të përmbusheshin, personi i kthyer nuk do t’i nënshtrohej trajtimit në kundërshtim me nenin 3;
(ii) garancitë ishin dhënë në mirëbesim;
(iii) duhet të kishte një bazë të fortë objektive për të besuar se garancitë do të respektoheshin; dhe
(iv) përmbushja e garancive duhet të ishte e verifikueshme.
74. Me zbatimin e këtij testi SIAC kishte gjetur që garancitë ishin të mjaftueshme për Algjerinë (shih vendimet e SIAC në G (8 shkurt 2007); Z dhe W (14 maj 2007); Y, BB dhe U (2 nëntor 2007); PP (23 nëntor 2007); B (30 korrik 2008); T (22 mars 2010); dhe Sihali (nr. 2) (26 mars 2010)). Gjithashtu, ai gjeti që garancitë ishin të mjaftueshme në lidhje me Etiopinë në çështjen XX (10 shtator 2010). SIAC gjeti që garancitë ishin të pamjaftueshme në lidhje me Libinë, duke pasur parasysh natyrën e ndryshueshme të regjimit të Gaddafit (DD dhe AS (27 prill 2007)).
75. Garancitë e Jordanisë po ashtu u gjetën të ishin në përputhje me nenin 3 në çështjen VV (2 nëntor 2007). SIAC mori raporte në lidhje me tortura në burgjet jordaneze dhe konsideroi që ato raporte e konfirmonin pikëpamjen e tij që, pa MiM, ekzistonte rrezik real për keqtrajtim. Megjithatë, ato raporte nuk i ndryshuan përfundimet e tij në rastin konkret, ku MiM dhe monitorimi nga Adaleh ofronin mbrojtje të mjaftueshme.
III. MARRËVESHJET MES MBRETËRISË SË BASHKUAR DHE JORDANISË
A. Memorandumi i Mirëkuptimit
76. Titulli i MiM të dakorduar mes qeverive të Mbretërisë së Bashkuar dhe Jordanisë i referohet rregullimit të “dispozitës së zotimeve në lidhje me persona të specifikuar para dëbimit”.
77. MiM deklaron që kuptohet që autoritetet e secilit Shtet do të veprojnë në pajtim me detyrimet e tyre për të drejtat e njeriut sipas të drejtës ndërkombëtare në lidhje me një person të kthyer në kuadër të MiM. Kur një person pranohet sipas kushteve të MiM, do të zbatohen kriteret e caktuara në paragrafët 1 deri në 8 të MiM, së bashku me çdo garanci tjetër të veçantë që jepet nga Shteti pranues. Paragrafët 1 deri në 5 parashikojnë si vijon:
“1. Nëse arrestohet, ndalohet ose burgoset pas kthimit, një personi të kthyer do t’i vihen në dispozicion strehim, ushqim, dhe trajtim i duhur mjekësor dhe do të trajtohet në mënyrë njerëzore dhe të përshtatshme, në pajtim me standardet e pranuara ndërkombëtarisht.
2. Një person i kthyer i cili arrestohet ose ndalohet do të sillet menjëherë para një gjyqtari apo zyrtari tjetër të autorizuar me ligj për ushtrimin e pushtetit gjyqësor në mënyrë që të vendoset ligjshmëria e ndalimit të tij.
3. Një person i kthyer i cili arrestohet ose ndalohet do të informohet menjëherë nga autoritetet e Shtetit pranues në lidhje me arsyet e arrestimit apo ndalimit të tij, dhe në lidhje me ndonjë akuzë kundër tij.
4. Nëse personi i kthyer arrestohet, ndalohet ose burgoset brenda tre vjetësh nga data e kthimit të tij, ai do të ketë të drejtë të kontaktojë, e më pas të ketë vizita të duhura dhe të rregullta, me një përfaqësues të një organi të pavarur të emëruar bashkërisht nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar dhe ato të Jordanisë. Vizita të tilla do të lejohen të paktën çdo dy javë, dhe pavarësisht nëse personi i kthyer është dënuar apo jo, dhe do të përfshijë mundësinë e intervistave private me personin e kthyer. Organi i emëruar do të japë raport para autoriteteve të Shtetit dërgues në lidhje me vizitat e tij.
5. Përveç rastit kur personi i kthyer arrestohet, ndalohet ose burgoset, Shteti pranues nuk do të pengojë, kufizojë, ngushtojë apo ndalojë qasjen e një personi të kthyer ndaj zyrave konsullore të Shtetit dërgues gjatë orarit të zakonshëm të punës. Megjithatë, Shteti pranues nuk është i detyruar të lehtësojë këtë qasje përmes ofrimit të transportit pa pagesë apo me çmim të zbritur.”
78. Paragrafi 6 garanton të drejtën e kryerjes së riteve fetare në paraburgim dhe paragrafi 7 garanton të drejtën e gjyqit të drejtë për një person të kthyer në kushte të ngjashme me ato të nenit 6 § 1 të Konventës. Paragrafi 8 është vazhdimësi e nenit 6 § 3, duke hequr referencat ndaj paragrafëve (a) dhe (e) të atij neni.
79. MiM deklaron që cilado qeveri mund të tërhiqet nga MiM duke dhënë gjashtë muaj paralajmërim, por ai do të vazhdojë të jetë i zbatueshëm për çdo person që është kthyer.
B. Kushtet e punës së Qendrës Adaleh
80. Kushtet e punës së Qendrës Adaleh (organi monitorues) parashikojnë që ajo duhet të jetë e pavarur nga Shteti pranues në aspektin operacional dhe financiar, dhe duhet të jetë në gjendje të paraqesë raporte të ndershme dhe të hapura. Në kushtet e punës gjithashtu thuhet që ajo duhet të ketë kapacitetin e duhur për të kryer detyrën, me ekspertë (“monitoruesit”) të trajnuar në konstatimin e shenjave fizike dhe psikologjike të torturës dhe keqtrajtimit, dhe qasje në ekspertë të tjerë sipas nevojës. Një monitorues duhet të shoqërojë çdo person të kthyer sipas MiM (“personi i kthyer”) gjatë tërë udhëtimit nga Shteti dërgues deri në Shtetin pranues, dhe duhet të shkojë me të në shtëpinë e tij ose, nëse vendoset diku tjetër, në vendin ku dërgohet. Qendra Adaleh duhet të ketë kontaktet e një personi të kthyer dhe të afërmve të tij dhe duhet të jetë në dispozicion të çdo personi të kthyer apo të afërmi të tij që dëshiron të kontaktojë me të. Ajo duhet t’i raportojë Shtetit dërgues për çdo shqetësim që ngrihet në lidhje me trajtimin e një personi apo nëse personi zhduket. Vitin e parë pas kthimit të personit, një monitorues duhet ta kontaktojë atë, me telefon ose personalisht, çdo javë.
81. Për sa i përket ndalimit, kushtet e punës parashikojnë si vijon:
“4. Vizitat tek të ndaluarit
(a) Kur organi monitorues vihet në dijeni që personi i kthyer është marrë në ndalim, një ose disa monitorues duhet ta vizitojnë personin menjëherë.
(b) Pas kësaj, monitoruesit duhet t’i vizitojnë të gjithë të ndaluarit shpesh dhe pa paralajmërim (të paktën aq shpesh sa lejon MiM); monitoruesit duhet të mendojnë që të kërkojnë më shumë vizita aty ku duhet, posaçërisht në fazat e para të ndalimit.
(c) Monitoruesit duhet të zhvillojnë intervista me të ndaluarit vetëm për vetëm, me përkthyes nëse ka nevojë.
(d) Vizitat monitoruese duhet të zhvillohen nga ekspertë të trajnuar për konstatimin e shenjave fizike dhe psikologjike të torturës dhe keqtrajtimit. Monitoruesi/t që vizitojnë duhet të sigurohet/n që të ndaluarit po i ofrohet akomodim, ushqim dhe trajtim mjekësor i duhur, dhe po trajtohet në mënyrë njerëzore dhe të përshtatshme, në përputhje me standardet e pranuara ndërkombëtarisht.
(e) Gjatë intervistimit të një të ndaluari, monitoruesi duhet të inkurajojë bisedë të hapur dhe të vëzhgojë gjendjen e të ndaluarit.
(f) Monitoruesit duhet të organizojnë zhvillimin e ekzaminimeve mjekësore në vend nëse kanë ndonjë shqetësim lidhur me mirëqenien fizike apo mendore të ndonjë të ndaluari.
(g) Organi monitorues duhet të marrë sa më shumë informacion që është e mundur rreth rrethanave të ndalimit dhe trajtimit, përfshirë edhe përmes inspektimit të ambienteve të ndalimit, dhe duhet të organizojë informimin e menjëhershëm në rast se i ndaluari lëvizet nga një vend ndalimi në një tjetër.”
82. Paragrafi 5 parashikon që, në mënyrë që të monitorohet të vepruarit të përputhje me të drejtën për gjyq të drejtë, monitoruesve duhet t’u lejohet hyrja në të gjitha seancat gjyqësore, duke iu përmbajtur kritereve të sigurisë kombëtare. Paragrafi 6 deklaron që monitoruesit duhet të sigurohen që t’u kushtojnë kujdes garancive të ofruara nga Shteti pranues në lidhje me çdo individ që kthehet, dhe duhet të monitorojnë respektimin e këtyre garancive. Paragrafi 7, që ka të bëjë me raportimin, parashikon që organi monitorues duhet t’i dërgojë raporte të rregullta dhe të sinqerta Shtetit dërgues dhe duhet ta kontaktojë Shtetin dërgues menjëherë nëse vëzhgimet e tij e kërkojnë një gjë të tillë.
...
IV. TË DREJTAT E NJERIUT NË JORDANI
A. Raportet e Kombeve të Bashkuara
1. Këshilli për të Drejtat e Njeriut
106. Universal Periodic Review i Grupit të Punës paraqiti raportin e tij mbi Jordaninë më 3 mars 2009 (A/HRC/11/29). Raporti vërente faktin se Jordania kishte pranuar disa rekomandime të caktuara të orientuara drejt çrrënjosjes së torturës. Pas raportit, Human Rights Watch e mirëpriti përmbushjen nga Jordania përmes “rishikimit të vazhdueshëm” të standardeve të saj për të drejtat e njeriut, por gjeti refuzimin nga Jordania të disa rekomandimeve të rëndësishme drejt çrrënjosjes së torturës “thellësisht zhgënjyes”. Organizata i bëri apel Jordanisë të zbatonte me shpejtësi rekomandimet për ngritjen e mekanizmave të pavarura për ankesa, të lejonte vizitat e paparalajmëruara në burg, dhe të mbyllte Gjykatat Policore, të cilat përbëheshin nga policë që dëgjonin pretendimet për tortura kundër kolegëve të tyre policë. Rekomandime të ngjashme dolën edhe nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar në deklaratën e saj për Këshillin e të Drejtave të Njeriut.
2. Komiteti Kundër Torturës i Kombeve të Bashkuara
107. Komiteti Kundër Torturës, në vëzhgimet e tij përfundimtare mbi Jordaninë më 25 maj 2010 (CAT/C/JOR/CO/2), i mirëpriti përpjekjet e vazhdueshme të Jordanisë për reforma, të cilat përfshinin ngritjen e një Qendre Kombëtare për të Drejtat e Njeriut, një zyre të pavarur të Avokatit të Popullit (Ombudsperson) për të pranuar ankesa, dhe një plani gjithëpërfshirës për modernizimin e ambienteve të burgjeve. Megjithatë, ai ishte njëkohësisht thellësisht i shqetësuar me “pretendimet e shumta, të vazhdueshme dhe të besueshme për praktika rutinore dhe të përhapura të torturës dhe keqtrajtimit të të burgosurve në ambientet e burgjeve, përfshirë edhe objektet nën kontrollin e Drejtorisë së Përgjithshme të Inteligjencës”. Gjithashtu, ai gjeti një “frymë pandëshkueshmërie” dhe mungesë të ndjekjes së mirëfilltë penale për kryesit. Komiteti më tej shprehu shqetësimin e tij në lidhje me numrin e kufizuar të hetimeve mbi pretendimet për tortura dhe shqetësimin e tij serioz për mungesën e mbrojtjeve ligjore themelore për të burgosurit dhe mbipërdorimin e ndalimit administrativ, i cili i vinte të ndaluarit përtej kontrollit gjyqësor. Komiteti gjithashtu rekomandoi që GID të vihej nën autoritetin civil, duke pasur parasysh që ai vazhdonte të ndalonte të dyshuarit në mënyrë arbitrare dhe incommunicado dhe t’i privonte të ndaluarit nga qasja ndaj gjyqtarëve, avokatëve apo mjekëve. Njëkohësisht, Komiteti ishte tepër i shqetësuar nga sistemi i veçantë i gjykatave në Jordani, i cili përfshinte Gjykatën e Sigurimit të Shtetit, ku personeli i ushtrisë dhe i sigurimit që pretendohet të jenë përgjegjës për shkelje të të drejtave të njeriut raportohet të kenë qenë të mbrojtur nga llogaridhënia para ligjit dhe ku procedurat jo gjithmonë kanë qenë në pajtim me standardet e gjyqit të drejtë. Së fundi, për sa i përket nenit 15 të Konventës kundër Torturës, Komiteti gjeti:
“Duke pasur parasysh ekzistencën e nenit 159 të Kodit të Procedurës Penale [përjashtimi i provave të marra me anë të detyrimit] i cili nuk i referohet në mënyrë specifike torturës, Komiteti shprehu shqetësimin e tij për raportet sipas të cilave përdorimi i rrëfimeve të detyruara si prova në gjykata është shumë i përhapur në Partinë e Shtetit.
...
Partia e Shtetit duhet të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar papranueshmërinë në gjykatë të rrëfimeve të marra si pasojë e torturës në të gjitha çështjet në përputhje me dispozitat e nenit 15 të Konventës. Komiteti kërkon që Partia e Shtetit të ndalojë me vendosmëri pranueshmërinë e provave të marra si rezultat i torturës në të gjitha procedurat, dhe të ofrojë informacione lidhur me ndjekjen penale dhe dënimin e ndonjë zyrtari për nxjerrjen e rrëfimeve të tilla”.
3. Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut
108. Vërejtjet përmbyllëse të Komiteti të të Drejtave të Njeriut më 18 nëntor 2010 (CCPR/C/JOR/CO/4) po ashtu lavdëruan reformat e Jordanisë, ku bënte pjesë edhe përfshirja në ligjin vendas të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike. Megjithatë, shqetësimet e Komitetit të të Drejtave të Njeriut përfshinin: numrin e madh të rasteve të raportuara të torturës dhe keqtrajtimit në qendrat e ndalimit, veçanërisht në objektet e GID; mungesën e një mekanizmi vërtet të pavarur të ankesave për t’u marrë me rastet e torturës apo keqtrajtimit të pretenduar nga zyrtarët publikë, si dhe numrin e vogël të ndjekjeve penale në raste të tilla; mohimin e qasjes së menjëhershme ndaj avokatit dhe ekzaminimeve të pavarura mjekësore për të ndaluarit; dhe faktin që OJQ-ve u ishte ndaluar hyrja në objektet e ndalimit. Rrjedhimisht, Komiteti rekomandoi ngritjen e një mekanizmi të pavarur për t’u marrë me pretendimet për tortura; hetimet dhe ndjekjet e duhura penale; qasje e menjëhershme e të ndaluarve ndaj avokatëve që i zgjidhnin vetë dhe ekzaminimit mjekësor; dhe krijimi i një sistemi të vizitave të pavarura në të gjitha vendet e privimit nga liria.
Komiteti gjithashtu shprehu shqetësimin e tij lidhur me pavarësinë e kufizuar organizative dhe funksionale të Gjykatës së Sigurimit të Shtetit dhe rekomandoi mbylljen e saj.
4. Raportuesi i Posaçëm
109. Në raportin e tij të datës 5 janar 2007 pranë Këshillit për të Drejtat e Njeriut (A/HRC/4/33/Add.3), Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Torturën, Manfred Nowak, vërejti, inter alia, që GID kishte refuzuar t’i lejonte atij vizita private tek të ndaluarit dhe arriti në përfundimin:
“Shumë pretendime të vazhdueshme dhe të besueshme për tortura dhe keqtrajtime janë sjellë në vëmendje të Raportuesit të Posaçëm. Në mënyrë të veçantë, është pretenduar se tortura praktikohej nga Drejtoria e Përgjithshme e Inteligjencës (GID) për të nxjerrë rrëfime dhe për të marrë informacione për qëllime kundër-terrorizmi dhe sigurie kombëtare, dhe brenda Departamentit të Hetimeve Penale (CID) për të nxjerrë rrëfime gjatë hetimeve penale rutinore. Duke pasur parasysh që këto dy objekte ishin ato që përmendeshin më shpesh si dy qendrat më famëkeqe të torturave në Jordani, mbi bazën e të gjitha provave të mbledhura, mohimi i mundësisë së vlerësimit të këtyre pretendimeve përmes intervistave private me të ndaluarit në GID, dhe duke marrë parasysh përpjekjet e qëllimshme të zyrtarëve për të penguar punën e tij, Raportuesi i Posaçëm e konfirmon që praktika e torturës është e zakonshme në GID dhe CID ... Për më tepër, në praktikë, dispozitat dhe mbrojtjet e parashikuara në ligjin jordanez për të luftuar torturën dhe keqtrajtimin janë të pakuptimta sepse shërbimet e sigurimit janë efektivisht të mbrojtura nga ndjekja penale dhe hetimi gjyqësor i pavarur, meqenëse abuzimet nga zyrtarët e atyre shërbimeve administrohen nga gjykata të veçanta policore, gjykata të inteligjencës dhe gjykata ushtarake, të cilave u mungojnë garancitë e pavarësisë dhe paanshmërisë”.
110. Në këtë kontekst, Raportuesi gjithashtu gjeti:
“57. Raportuesi i Posaçëm raporton që nuk ndërmerret asnjë hetim ex officio edhe në rastet e lëndimeve të rënda të pësuara nga një i dyshuar për krime; asnjë zyrtar nuk mund të demonstrojë para Raportuesit të Posaçëm që janë marrë hapa seriozë për të hetuar pretendimet, qoftë edhe të paktën dokumentimin e kohshëm mjekësor të lëndimeve të pësuara nga të ndaluarit ...
60. Paradoksalisht, ndërkohë që zyrtarët e ligjit deklarojnë që pretendimet për tortura janë të padëgjuara brenda institucioneve të tyre, Gjykata e Kasacionit ka kthyer mbrapsht disa dënime mbi bazën e marrjes nga zyrtarët e sigurimit të rrëfimeve të të pandehurve me anë të torturave. Për fat të keq, as këto gjetje nuk nxitën ndonjë hetim zyrtar mbi keqbërjet e zyrtarëve dhe asnjë zyrtar sigurimi i përfshirë në këto raste nuk është sjellë ndonjëherë para drejtësisë.
61. Për më tepër, vendimet e Gjykatës së Kasacionit në lidhje me çështjet ku të dyshuarit për krime ndiqen penalisht nga gjykatat e posaçme njëkohësisht citohen nga zyrtarët e qeverisë si të tilla që e mbrojnë sistemin, duke treguar ekzistencën e një mbikëqyrjeje të pavarur në formën e apeleve në Gjykatë kundër vendimeve të gjykatave të posaçme.
62. Megjithatë, për sa i përket çështjes së pandëshkueshmërisë dhe ndjekjes penale nga gjykatat e posaçme të policëve apo zyrtarëve të inteligjencës për tortura apo keqtrajtime, nuk është paraqitur asnjë provë për të vërtetuar raste ku shfajësimet nga gjykatat e posaçme të policëve janë apeluar me sukses pranë Gjykatës së Kasacionit, nëse ka pasur apele.
63. Kjo shpie në përfundimin që pandëshkueshmëria është totale. Sistemi i gjykatave të posaçme nuk funksionon efektivisht fare. Mungesa e torturës si krim në përputhje me nenin 1 të Konventës kundër Torturës është vetëm një pjesë e problemit. Në krye të problemit qëndron një sistem ku presupozimi i pafajësisë është iluzion, theksi qendror vihet mbi marrjen e rrëfimeve, zyrtarët publikë nuk tregojnë asnjë ndjenjë përgjegjësie, dhe nuk marrin asnjë përgjegjësi në hetimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut ndaj kriminelëve të dyshuar, dhe sistemi i gjykatave të posaçme të brendshme shërben vetëm për të mbrojtur zyrtarët e sigurimit nga drejtësia. [shënimet në fund të faqes janë hequr]”
111. Raportuesi rekomandoi futjen e një sërë mbrojtjeve për të ndaluarit, përfshirë rregulla më të mira për administrimin e pranueshmërisë së rrëfimeve. Ai gjithashtu rekomandoi mbylljen e Gjykatës së Sigurimit të Shtetit.
B. Raporte të tjera
1. Amnesty International
112. Amnesty International ka përgatitur një sërë raportesh mbi trajtimin e të ndaluarve në Jordani. Raporti i tij më i gjerë, i titulluar “Jordani: ‘Rrëfimet e tua janë gati për nënshkrim’: ndalimi dhe tortura e të burgosurve politikë”, u botua në korrik 2006. Raporti kritikonte Jordaninë për mbajtjen e një sistemi të burgosjes incommunicado i cili mundësonte torturën, posaçërisht nën kujdesin e GID, ku tortura ishte sistematike dhe praktikohej pa u ndëshkuar. Fushëveprimi i abuzimeve nga GID ishte edhe më i gjerë sepse zyrtarëve të GID u jepej autoriteti i prokurorëve publikë (e rrjedhimisht pushteti gjyqësor), duke lejuar vetë GID të zgjaste periudhat e ndalimit për qëllime të marrjes në pyetje. Ishte praktikisht e pamundur që një i burgosur të vërtetonte se ishte torturuar nga GID kur ishte vetëm fjala e të burgosurit kundër fjalës së zyrtarëve të GID. Raporti konsideronte që monitorimi nga Qendra Kombëtare e Jordanisë për të Drejtat e Njeriut dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ishin hapa pozitivë sadopak të kualifikuar, dhe të dyja organizatat nuk ishin lejuar t’i takonin të gjithë të burgosurit e mbajtur nga GID.
113. Megjithëse amendamentet e vitit 2001 të nenit 66 të Kodit të Procedurës Penale i kishin lejuar të burgosurve që t’i takonin avokatët e tyre, edhe gjatë burgimit incommunicado, në kundërshtim të dukshëm me këto dispozita praktika e zakonshme në çështjet e Gjykatës së Sigurimit të Shtetit ishte që të ndaluarit të mbaheshin në paraburgim të zgjatur paragjyqësor incommunicado. Gjithashtu kishte kontradikta të dukshme tek e drejta e pasjes së avokatit të pranishëm gjatë marrjes në pyetje para Prokurorit Publik. Gjykata e Sigurimit të Shtetit kishte qenë “gjerësisht e plogët” para pretendimeve për tortura, duke mos arritur t’i hetonte këto pretendime si duhej. Gjyqet para kësaj Gjykate ishin shpesh të padrejta; ajo kishte tendencë t’i dënonte të pandehurit mbi bazën e rrëfimeve që pretendohej të ishin marrë përmes torturave. Raporti shënonte që, gjatë dhjetë viteve të mëparshme, njëqind të pandehur kishin pretenduar para Gjykatës së Sigurimit të Shtetit që ishin torturuar për të dhënë rrëfime; pretendimet ishin bërë në pesëmbëdhjetë raste të tilla në vitin 2005, e megjithatë Gjykata e Sigurimit të Shtetit nuk kishte arritur t’i hetonte si duhet këto pretendime. Apelet në adresë të Gjykatës së Kasacionit nuk kishin qenë mbrojtje e përshtatshme.
114. Raporti përshkruante nëntë raste studimore të rrëfimeve të nxjerra me anë të torturave nga GID në çështje gjyqësore të Gjykatës së Sigurimit të Shtetit, përfshirë çështjen e gjyqit të komplotit të mijëvjeçarit. Raporti shënonte që të paktën katër prej të pandehurve, përfshirë Abu Hawsher, ishin torturuar gjatë marrjes në pyetje nga GID, ku në trupat e tyre thuhet se kishte shenja torturash kur të afërmit dhe avokatët i panë për herë të parë. Dëshmitarët deklaruan që, gjatë rindërtimit të vendngjarjeve, ata kishin parë një të pandehur, Z. Sa’ed Hijazi, të cilin po e ngrinin nga krahët dy roje si duket për shkak se nuk ishte në gjendje të qëndronte vetë. Në rastin e një tjetri, Z. Ra’ed Hijazi (shtetas amerikano-jordanez), një mjek kishte dëshmuar se Z. Hijazi ishte sëmurë rëndë me pneumoni gjatë kohës që mbahej në paraburgim incommunicado. Konsulli amerikan, i cili u tha të kishte parë shenja torturash tek ai, nuk mundi të jepte dëshmi në gjyq për arsye të imunitetit diplomatik.
115. Gjithashtu, raporti dilte në përfundimin që MiM mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Jordanisë ishte i papërshtatshëm duke pasur parasysh dështimin e Jordanisë në ndalimin absolut të torturës dhe, për më tepër, kthimin pas monitorimit nuk mund të zëvendësonte kriteret e së drejtës ndërkombëtare për ekzistimin e mbrojtjeve sistematike legjislative, gjyqësore dhe administrative për parandalimin e torturës. Monitorimi, edhe nga organizata profesioniste, ishte i pamjaftueshëm për ta parandaluar atë.
2. Human Rights Watch
116. Në raportin e saj “Lëvizje të dyshimta: Departamenti i Përgjithshëm i Inteligjencës dhe Problemi i Jordanisë me Sundimin e Ligjit” (angl. “Suspicious Sweeps: the General Intelligence Department and Jordan’s Rule of Law Problem”) të datës 18 shtator 2006, organizata dokumentonte raste të keqtrajtimit nga GID. Raporti gjithashtu përmbante pjesën e mëposhtme mbi prokurorët para Gjykatës së Sigurimit të Shtetit:
“Gjykata e Sigurimit të Shtetit (angl. SSC) është një gjykatë e posaçme e themeluar në përputhje me nenet 99 dhe 100 të Kushtetutës së Jordanisë.
...
Kryetari i Shefave të Përgjithshëm të Shtabit cakton një zyrtar ushtarak për të shërbyer si prokuror, duke theksuar karakterin vartës të gjykatës. Zyrat e prokurorisë janë fizikisht të vendosura brenda kompleksit qendror të GID. Prokurori i SCC [sic] është zyrtari që ngre akuzat kundër të pandehurve dhe autorizon paraburgimin e tyre të vazhduar. Prokurori i SSC i cili heton krimet për të cilat akuzohen të burgosurit në GID është zyrtar ushtarak që vepron nën të njëjtin autoritet administrativ me oficerët e inteligjencës. Kjo reflekton mungesë themelore të pavarësisë dhe paanshmërisë.
...
Neni 7 i ligjit mbi SCC parashikon që personat të cilët janë nën hetime me qëllim të akuzimit për vepra penale për të cilat SCC ka juridiksion mund të burgosen ‘aty ku është e nevojshme për një periudhë jo më të gjatë se shtatë ditë’ para se të sillen para prokurorit për t’u akuzuar. Prokurori mund ta zgjasë urdhrin për burgim në periudha të përtëritshme prej pesëmbëdhjetë ditësh pas ngritjes së akuzave kundër një të dyshuari, nëse është ‘në interes të hetimeve’. Një avokat i tregoi organizatës Human Rights Watch që ‘është normale që të burgosurit të qëndrojnë në GID për rreth gjashtë muaj. Ata transferohen në një burg normal ose lirohen pasi GID i ka përfunduar hetimet.’
Sipas ligjeve jordaneze, megjithëse prokurori zyrtarisht është përgjegjës për hetimet pas ngritjes së akuzave, në çështjet që dalin para SCC praktika është e tillë që prokurori ia delegon përgjegjësinë zyrtarëve të GID për të vazhduar hetimet, përfshirë marrjen në pyetje. Të gjithë të burgosurit e intervistuar nga Human Rights Watch kujtonin që gjatë kohës së tyre në burg ata ishin parë vetëm me personelin e GID, deri në momentin kur ishin sjellë para prokurorit për t’u akuzuar. Sidoqoftë, disa të burgosur qartësuan se e kishin të pamundur të bënin dallimin e sigurt mes zyrtarëve të GID dhe zyrtarëve nga prokuroria, meqenëse të gjithë vishnin rroba civile, merrnin në pyetje në të njëjtën mënyrë, dhe ishin të vendosur afër me zyra.
Gjithashtu prokurori është autoriteti ligjor për ankesat e të burgosurve lidhur me trajtimin mizor apo çnjerëzor ose torturën. Ligji jordanez kërkon që çdo zyrtar, përfshirë zyrtarët e GID, të pranojnë dhe të transmetojnë ankesat tek eprorët e tyre. Roli i prokurorit përfshin hetimin e ankesave që pretendojnë shkelje të ligjit. Mungesa themelore e pavarësisë së prokurorit brenda GID dhe strukturat e SCC [sic] e bëjnë këtë rol krejtësisht joefikas. Samih Khrais, një avokat që ka mbrojtur dhjetëra klientë para Gjykatës së Sigurimit të Shtetit, i tregoi Human Rights Watch: ‘Prokurori e kthen të burgosurin në qeli nëse ky i fundit thotë që ka dhënë rrëfim nën tortura.’ Khrais thotë që për shkak të rolit të prokurorit në procesin gjyqësor para SCC [sic], dhe rregullave që i bëjnë deklaratat e dhëna përmes torturës të papranueshme në gjykatë, prokurorët e SCC [sic] nuk kanë dëshirë të ndërmarrin veprime në lidhje me ankesat për tortura. Një i burgosur, Mustafa R., i cili tha që ishte torturuar si përpara ashtu edhe pasi ishin ngritur akuzat kundër tij, i tregoi Human Rights Watch që kur e kishin sjellë para prokurorit për t’u njoftuar me akuzat ai ishte ndodhur vetëm për vetëm me prokurorin në zyrën e tij në kompleksin e GID, ndërkohë që një makinë me marrësit në pyetje të tij priste jashtë për ta kthyer në qeli. Prokurori nuk hulumtoi lidhur me faktin nëse kundër Mustafa R. ishte përdorur forcë e paligjshme apo shtrëngim gjatë marrjes së tij në pyetje. Një tjetër ish-i burgosur, Muhammad al-Barqawi, i tregoi Human Rights Watch që nëse një i burgosur kërkon avokat apo pretendon që ka tortura, prokurori e kthen të burgosurin për marrje të mëtejshme në pyetje, duke thënë “Nuk është ende gati”.
117. Në raportin e tij të datës 8 tetor 2008, “Tortura dhe Pandëshkueshmëria në Burgjet e Jordanisë” (angl. “Torture and Impunity in Jordan’s Prisons”), i cili bazohej mbi vizitat në burgje që kishte zhvilluar në vitet 2007 dhe 2008, Human Rights Watch arriti në përfundimin që tortura ende mbetej shumë e përhapur dhe rutinë në burgjet e Jordanisë. Organizata mori pretendime për keqtrajtim nga 66 prej 110 të burgosurve që intervistoi. Gjithashtu ajo arriti në përfundimin që rojet e burgut i torturonin të burgosurit për shkak se gjyqtarët dhe prokurorët bënin shumë pak për t’i ndjekur ato penalisht. Raporti vërente se vullneti i qeverisë jordaneze për të lejuar hyrjen në burgje ishte për t’u lavdëruar dhe reflektonte një zotim pozitiv drejt reformave. Megjithatë, raporti po ashtu vërente se shqetësimi publik i udhëheqësisë jordaneze nuk kishte treguar efekte të vazhdueshme në terren. Tortura zbatohej në mënyrë rutinore sa herë që të burgosurit shkelnin rregullat e burgut, bënin kërkesë për vizita mjekësore, thirrje telefonike ose vizita, ose sa herë që bënin ankesa. Të burgosurit islamikë përballeshin me abuzime edhe më të mëdha se të tjerët. Ankesat për tortura ishin pakësuar por ende mbeteshin shqetësim aktual. Tortura nuk ishte politika e përgjithshme, megjithëse zyrtarët e lartë kishin urdhëruar rrahje. Tortura ishte një “praktikë e toleruar” sepse mekanizmat për llogaridhënien individuale mungonin; qeveria kishte marrë, pa shumë bujë, disa hapa fillestarë për të ofruar më shumë mundësi për zgjidhje dhe, por nuk i kishte zbatuar me përpikëri.
118. Në pjesën Raporti Botëror (angl. World Report) për vitin 2010 në lidhje me Jordaninë, Human Rights Watch gjithashtu komentonte që reforma të tjera pozitive, siç ishin programet e trajnimit kundër torturës të Qendrës Kombëtare për të Drejtat e Njeriut në Jordani, nuk ishin fare të mjaftueshme duke pasur parasysh mungesën e vullnetit politik në Jordani dhe mungesën e mekanizmave efektive për të sjellë kryesit para drejtësisë.
3. Qendra Kombëtare për të Drejtat e Njeriut në Jordani (angl. NCHR)
119. Në raportin e saj të vitit 2005, NCHR njihte faktin se, megjithëse ligji jordanez ishte i qartë në lidhje me paligjshmërinë e një dënimi të bazuar mbi rrëfime të cilat ishin marrë me anë të shtrëngimit, ishte e vështirë për të pandehurit që të vërtetonin se rrëfimet ishin marrë në atë mënyrë, sidomos duke pasur parasysh mungesën e dëshmitarëve dhe periudhat e gjata të burgimit çka nënkuptonte se mjekët nuk mund të konstatonin abuzimet.
120. Në raportin e saj të vitit 2007, NCHR vërente që informacionet për gjyqet penale tregonin “një mungesë të qartë – në shumë raste – të zotimit ndaj kritereve elementare të një gjyqi të drejtë”. Ajo i referohej në mënyrë të veçantë gjykimit të civilëve para Gjykatës së Sigurimit të Shtetit gjyqtarët e së cilës ishin “të orientuar ushtarakisht”, çka dëmtonte parimin e pavarësisë gjyqësore dhe zvogëlonte garancitë e një gjyqi të drejtë.
121. Në raportin e saj të vitit 2008, NCHR vërejti vështirësitë e vazhdueshme në zbulimin e torturës, përfshirë periudhën e gjatë të mbajtjes së të burgosurve në burg dhe faktin se ata që ishin përgjegjës për shtrëngimin e të burgosurve nuk i shkruanin vetë deklaratat, çka do të thotë që deklaratat bëheshin ligjërisht prova përfundimtare. Po ashtu, NCHR shënoi që, gjatë një pjese të vitit, asaj i ishin ndaluar vizitat në burgje. Megjithatë, qeveria kishte miratuar një sërë masash pozitive anti-torturë.
122. Në raportin e vitit 2009, NCHR shënoi që përpjekjet kundër torturave ende mbeteshin “mediokre dhe hezituese”. Problemet e ndryshme përfshinin Ligjin për Parandalimin e Krimit, i cili lejonte burgimin incommunicado pa monitorim gjyqësor; Ligji për Sigurimin e Shtetit, i cili lejonte burgimin për shtatë ditë para referimit tek gjyqtari; dhe që një deklaratë e dhënë nga një i dyshuar pa praninë e Prokurorit Publik ishte e pranueshme nëse ajo “i dorëzohej prokurorisë publike bashkë me një provë të rrethanave në të cilat ishte dhënë” dhe “i dyshuari e kishte dhënë atë deklaratë në mënyrë vullnetare”.
4. Departamenti i Shtetit amerikan
123. Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut mbi Jordaninë për vitin 2009 shënonte shqetësimet e OJQ-ve vendase dhe ndërkombëtare që tortura mbetej shumë e përhapur, megjithëse po ashtu shënonin një ulje të numrit të ankesave të bëra. OJQ-të gjithashtu kishin gjetur që mekanizmat e ankesave ishin përmirësuar por kërkoheshin ende reforma të tjera. Raporti shtonte:
“Ndryshe nga vitet e kaluara, nuk ka pasur pretendime të reja publike për tortura nga të pandehurit para Gjykatës së Sigurimit të Shtetit. Më 15 prill, tre nga pesë burrat që pretendonin të ishin torturuar nga viti 2007 deri në maj 2008 morën dënime nga pesë vjet. Dy burrat e tjerë u shfajësuan për shkak të mungesës së provave. Qeveria i gjeti pretendimet e tyre për tortura të pabaza, ashtu siç gjeti edhe pretendimet për tortura në janar 2008 të dy burrave të akuzuar për eksportim armësh drejt Bregut Perëndimor çështjet penale të të cilëve vazhduan deri në fund të vitit.
Më 14 maj, Gjykata e Sigurimit të Shtetit dënoi Nidal Momani, Tharwar Draz, dhe Sattam Zawahra me vdekje për komplot për vrasjen e një udhëheqësi të huaj gjatë vizitës në vend në vitin 2006, por menjëherë e ndryshoi dënimet e tyre në burgime nga pesëmbëdhjetë vjet. Në vitet 2007 dhe 2008, të pandehurit pretenduan që ishin rrahur dhe mbi ta ishte bërë presion psikologjik për të rrëfyer.”
124. Raporti i vitit 2010 thoshte që ligji jordanez e ndalonte torturën; megjithatë, OJQ-të ndërkombëtare vazhdonin të raportonin incidente torturash dhe keqtrajtim shumë të përhapur në polici dhe në qendrat e ndalimit. Për sa u përket procedurave të arrestimit dhe gjyqit, raporti vërente që:
“Gjykata e Sigurimit të Shtetit i jep policisë gjyqësore, e ngarkuar me zhvillimin e hetimeve penale, autoritet për të arrestuar dhe për të mbajtur persona në paraburgim për dhjetë ditë. Ky autoritet përfshin arrestime për keqbërje të pretenduara. Në rastet kur pretendohet të jetë përfshirë sigurimi i Shtetit, forcat e sigurisë kanë arrestuar dhe paraburgosur qytetarë pa urdhërarrest apo shqyrtim gjyqësor, kanë mbajtur të pandehur në paraburgim paragjyqësor për periudha të gjata pa i informuar ata mbi akuzat kundër tyre, dhe nuk i kanë lejuar të pandehurit të takoheshin me avokatët e tyre apo nuk kanë lejuar takime deri pak para gjyqit. Të pandehurit para Gjykatës së Sigurimit të Shtetit zakonisht takoheshin me avokatët e tyre në fillim të gjyqit ose vetëm një apo dy ditë përpara. Një çështje mund të shtyhet për më shumë se dyzet e tetë orë vetëm në rrethana të jashtëzakonshme të përcaktuara nga gjykata. Në praktikë, zakonisht çështjet shtyheshin për më shumë se dhjetë ditë mes seancave ku procedurat zgjasnin për muaj të tërë. Në shumicën e rasteve të akuzuarit mbeteshin në paraburgim pa dorëzani gjatë procedurave. Shumë të burgosur mbaheshin në burg pa akuza deri në fund të vitit.”
Raporti gjithashtu komentonte që ligji jordanez parashikonte një gjyqësor të pavarur; megjithatë, pavarësia e gjyqësorit në praktikë ishte e komprometuar nga pretendimet për nepotizëm dhe ndikim të interesave të caktuara.
V. E DREJTA KRAHASUESE DHE NDËRKOMBËTARE MBI TORTURËN DHE PËRDORIMIN E PROVAVE TË MARRA PËRMES TORTURËS
A. Konventa e Kombeve të Bashkuara për Torturën
1. Dispozitat relevante të Konventës
125. Një qind e dyzet e nëntë Shtete janë palë në Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Torturës dhe Trajtimeve ose Dënimeve të Tjera Mizore, Çnjerëzore apo Poshtëruese (angl. UNCAT), përfshirë të gjitha Shtetet anëtare të Këshillit të Europës. Neni 1 i Konventës e përkufizon torturën si
“çdo veprim me të cilin personit tjetër i shkaktohen qëllimisht dhimbje a vuajtje të rënda, fizike ose mendore, me qëllim që të sigurojë nga ai ose nga ndonjë person i tretë, informacione ose pohime për ta dënuar për veprën të cilën ai ose ndonjë person i tretë e ka kryer ose dyshohet se e ka kryer, ose me qëllim që të frikësohet ose detyrohet ai ose ndonjë person i tretë, ose për ndonjë arsye tjetër të bazuar në diskriminimin e cilitdo lloji, kur dhimbjet ose vuajtjet e tilla shkaktohen nga një person zyrtar ose nga një person i tretë që vepron sipas detyrës zyrtare ose me nxitjen a pëlqimin e tij. Ky term nuk përfshin vuajtjet ose dhimbjet që rezultojnë vetëm nga sanksionet ligjore, që u përkasin ose janë shkaktuar prej tyre.”
126. Neni 1 § 2 parashikon që nuk paragjykohet asnjë instrument ndërkombëtar ose legjislacion kombëtar i cili përmban ose mund të përmbajë dispozita të zbatimit më të gjerë. Neni 2 kërkon që Shtetet të marrin masa efikase legjislative, administrative, gjyqësore apo të tjera për të parandaluar veprimet e torturës në çdo territor nën juridiksionin e vet. Neni 4 kërkon që secili Shtet Palë të sigurohet që të gjitha veprimet e torturës të jenë vepra sipas të drejtës penale të atij Shteti.
127. Neni 3 parashikon:
“1. Asnjë Shtet Palë nuk do të dëbojë, nuk do të zmbrapsë (‘refouler’), e as nuk do të ekstradojë një person në një shtet tjetër ku ka arsye serioze për të besuar sa ai rrezikon t’i nënshtrohet torturës.
2. Me qëllim të përcaktimit nëse ekzistojnë arsye të tilla, autoritetet kompetente do të marrin parasysh të gjitha rrethanat përkatëse duke përfshirë, kudo që është e zbatueshme, ekzistimin e një vistër dhunimesh sistematike, të rënda, flagrante ose masive të të drejtave të njeriut në një shtet përkatës.”
128. Neni 12 parashikon që çdo Shtet Palë duhet të sigurohet që autoritetet e tij kompetente të zhvillojnë hetime të menjëhershme dhe të paanshme, kudo që ka baza të arsyeshme për të besuar se është kryer një veprim torture në çdo territor brenda juridiksionit të tij.
129. Neni 15 kërkon që çdo Shtet të sigurohet që çdo deklaratë që konstatohet të jetë marrë si rezultat i torturës të mos merret si provë në asnjë procedurë, përveç se kundër një personi të akuzuar për tortura si provë që deklarata është dhënë.
2. Praktika gjyqësore dhe raportet në lidhje me nenin 15 të UNCAT
(a) Komiteti i Kombeve të Bashkuara kundër Torturës
130. Në çështjen P.E. kundër Francës (21 nëntor 2002, komunikata nr. 193/2001, CAT/C/29/D/193/2001), Komiteti shqyrtoi çështjen e një shtetasi gjerman i cili ishte ekstraduar nga Franca në Spanjë. Kërkuesi pretendonte që kërkesa spanjolle për ekstradim ishte bazuar mbi dëshmitë e një personi të tretë të marra përmes torturës. Ndërkohë që e refuzoi ankesën si të pabazuar, Komiteti mori në konsideratë faktin që dispozitat e nenit 15 ishin të zbatueshme në procedurat e ekstradimit në Francë dhe që Franca kishte detyrimin të sigurohej për vërtetësinë e pretendimeve të shtruara. “Fushëveprimi i gjerë” i nenit 15 dhe zbatueshmëria e tij në procedurat e ekstradimit u konfirmua nga Komiteti në çështjen e G.K. kundër Zvicrës (7 maj 2003, komunikata nr. 219/2002, CAT/C/30/D/219/2002), e cila kishte të bënte me një ekstradim në Spanjë ku baza e kërkesës për ekstradim mbështetej mbi deklaratat e një pale të tretë kinse e marrë përmes torturës. Procedurat penale të filluara nga pala e tretë kundër torturuesve të tij të pretenduar u ndërprenë nga autoritetet spanjolle dhe kështu ankesa u rrëzua nga Komiteti si e pabazuar; rrjedhimisht, nuk kishte pasur shkelje të nenit 15 nga Zvicra në ekstradimin e kërkuesit.
131. Në vërejtjet përmbyllëse lidhur me Rusinë më 6 shkurt 2007 (CAT/C/RUS/CO/4), Komiteti shprehu shqetësimin që, ndërkohë që Kodi i Procedurës Penale në Rusi deklaronte që provat e marra përmes torturës ishin të papranueshme, në praktikë dukej të kishte ndonjë udhëzim që gjykatat të vendosnin që këto lloj provash ishin të papranueshme, apo të urdhëronin hetime të menjëhershme, të paanshme dhe efikase. Komiteti rekomandoi miratimin e dispozitave të qarta ligjore që parashikonin masat që duheshin marrë nga gjykatat nëse dilnin prova që dukej të ishin marrë përmes torturës apo keqtrajtimit, në mënyrë që të sigurohej respektimi në praktikë i parimit të papranueshmërisë së provave të marra përmes torturës.
Po ashtu, në vërejtjet përmbyllëse në lidhje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (25 korrik 2006, CAT/C/USA/CO/2), Komiteti shprehu shqetësim edhe në lidhje me zbatimin e nenit 15 në rastin e komisioneve ushtarake dhe organeve që shqyrtonin çështjet e të ndaluarve në Gjirin Guantanamo, në Kubë. Ai rekomandoi që Shtetet e Bashkuara duhet të ngrinin një mekanizëm të pavarur për të garantuar të drejtat e të gjithë të ndaluarve që mbaheshin atje.
Në raportin e tij në lidhje me Meksikën (26 maj 2003, CAT/C/75), Komiteti konsideroi që neni 20 i Kushtetutës së Meksikës (i cili parashikon që një rrëfim që nuk është dhënë para Prokurorit Publik ose gjyqtarit, ose që është dhënë pa praninë e avokatit mbrojtës, nuk ka vlerë provuese) nuk ishte i mjaftueshëm për të parandaluar torturën në praktikë. Të burgosurit kishin frikë t’i tregonin Prokurorit Publik që ishin torturuar; nuk kishte qasje të mjaftueshme ndaj këshillimit ligjor; policia dhe Prokuroria Publike bashkëpunonin ngusht dhe të burgosurit dërgoheshin sa andej-këndej në mënyrë të përsëritur mes procedurave me qëllim të marrjes në pyetje e më pas rrëfimeve të detyruara; prokurorët nuk zhvillonin hetime lidhur me pretendimet për tortura dhe, edhe nëse e bënin këtë, përsëri e përdornin rrëfimin sidoqoftë; dhe ekspertët mjekësorë nuk ishin të pavarur sa duhet nga prokurori. Ishte “jashtëzakonisht e vështirë” të përjashtoheshin rrëfimet e detyruara: gjykatat nuk kishin mjete të pavarura për t’u siguruar nëse rrëfimet ishin marrë me vullnet të lirë (paragrafët 155, 196-202 dhe 219-20 të raportit).
(b) Franca
132. Në nenin 15 u bazua Gjykata e Apelit në Pau në vendimin e saj për të refuzuar një kërkesë ekstradimi nga Spanja në çështjen Irastorza Dorronsoro, çështja nr. 238/2003, 16 maj 2003. Ishte pranuar nga autoritetet spanjolle që deklaratat nga një palë e tretë, Znj. Sorzabal Diaz, gjatë qëndrimit në burg ishin prova e vetme kundër Z. Irastorza Dorronsoro. Gjykata gjeti që nuk kishte baza serioze për të besuar që Znj. Sorzabal Diaz ishte abuzuar fizikisht gjatë burgosjes së saj dhe hetimet e mëtejshme nga autoritetet spanjolle nuk kishin arritur t’i davarisnin ato shqetësime. Prandaj, nuk mund të përjashtohej që deklaratat e saj ishin marrë në kundërshtim me nenin 15 dhe, në këto kushte, kërkesa për ekstradim u refuzua.
(c) Gjermania
133. Në neni 15 u mbështet gjithashtu edhe Gjykata e Apelit e Dyseldorfit (Oberlandesgericht) në vendimin e saj të datës 27 maj 2003 ku refuzohej ekstradimi i një të dyshuari terrorist në Turqi. Gjykata njohu që Turqia e kishte ratifikuar UNCAT dhe i kishte inkorporuar dispozitat e saj në ligjin vendas. Megjithatë, kishte rrezik real (konkrete Gefahr) që ato dispozita nuk po respektoheshin në rastin e ekstradimit të një personi të kërkuar. Duke marrë parasysh provat përpara saj, gjykata gjeti prova të arsyeshme (begründete Anhaltspunkte) për të supozuar që deklaratat e dhëna në policinë e Stambollit nga tridhjetë e dy të bashkëpandehur në vjeshtën e vitit 1998 – ku përmbaheshin rrëfime të plota – ishin dhënë nën ndikimin e veprimeve të torturës nga forcat e sigurisë së Turqisë. Pretendimet për tortura mbështeteshin nga prova mjekësore (sado që raportet ishin të paqarta në disa vende) dhe përputheshin me informacionin në dispozicion nga raportet e përgjithshme mbi metodat e torturës që zbatoheshin rëndom – jo gjithmonë me efekte vizualisht të verifikueshme – gjatë qëndrimit në burg në Turqi. Për më tepër, ekzistonte një rrezik, i vërtetuar nga prova konkrete (durch konkrete Indizien belegte Gefahr), që deklaratat e marra nga të bashkakuzuarit mund të ishin përdorur në procedurat kundër personit të kërkuar në Turqi. Gjykata e Apelit e pranoi që, në vendimet e tyre, gjykatave turke u kërkohej të kishin parasysh dispozitat vendase dhe ato ndërkombëtare kundër pranimit të provave të marra përmes torturës, si dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës së Kasacionit të Turqisë, me qëllim që rrëfimet e pavërtetuara të ishin të papranueshme. Megjithatë, raportet e të drejtave të njeriut kishin vërejtur në mënyrë të përsëritur që hetimet e pamjaftueshme nga sistemi turk i drejtësisë mbi pretendimet për tortura donte të thoshte që gjykatat vazhdonin të përdornin rrëfimet e marra përmes keqtrajtimeve të policisë. Ekzistonte frika e bazuar se Gjykata e Sigurimit Kombëtar të Stambollit do të vepronte kështu në çështjen në fjalë, dhe se do të ishte e pamundur të vërtetoheshin akuzat kundër personit të kërkuar pa u mbështetur tek deklaratat e vjeshtës së vitit 1998 të marra nga policia.
134. Në vendimin e saj, Gjykata e Apelit të Dyseldorfit u mbështet në Gjykatën Administrative të Këlnit (Verwaltungsgericht) dhe vendimin e saj të datës 28 gusht 2003 në një çështje ekstradimi të ndërlidhur. Gjykata e Këlnit gjeti që përfundimet e Gjykatës së Apelit nuk ishin ndryshuar nga garancitë e ofruara nga autoritetet turke; ato garanci nuk ishin specifike por mbështeteshin vetëm mbi dispozitat e përgjithshme të zbatueshme të ligjit turk mbi provat për tortura.
135. Në çështjen re. El Motassadeq, para Divizionit Penal të Gjykatës së Apelit të Hamburgut (Oberlandesgericht), i pandehuri akuzohej për komplot për shkaktimin e sulmeve të 11 shtatorit 2001. Gjykatës iu paraqitën përmbledhjet e dëshmive të tre dëshmitarëve të cilët ishin mbajtur dhe ishin marrë në pyetje gjatë mbajtjes në burg nga SHBA. Kërkesat lidhur me natyrën e marrjes në pyetje nga autoritetet amerikane kishin mbetur pa përgjigje. Gjykata e bazonte vlerësimin e saj lidhur me faktin nëse ishte përdorur tortura mbi burime publikisht të disponueshme. Gjykata gjeti që, në tërësi, nuk ishte provuar që dëshmitarët ishin torturuar, inter alia, sepse përmbajtja e deklaratave nuk ishte e njëanshme. Kjo nënkuptonte që gjykata vendosi të mos merrte parasysh nenin 15 të UNCAT, i cili, vërejti ajo, do të kishte justifikuar ndalimin e përdorimit të provës (shih përmbledhjen e vendimit në çështjes A dhe të Tjerë (nr. 2), §§ 60, 122-23 dhe 140-41). Kërkesa vijuese e të pandehurit drejtuar kësaj Gjykatë u shpall e papranueshme si dukshëm e pabazuar (shih El Motassadeq kundër Gjermanisë (dec.) nr. 28599/07, 4 maj 2010).
B. Mbretëria e Bashkuar
1. A dhe të Tjerë (nr. 2)
136. Në çështjen A dhe të Tjerë (nr. 2) kundër Sekretarit të Shtetit për Departamentin e Punëve të Brendshme [2005] UKHL 71, Dhoma e Lordëve konsideroi nëse SIAC mund t’i pranonte ligjërisht provat të cilat ishin marrë ose mund të ishin marrë përmes torturës në një Shtet tjetër pa bashkëpërfshirjen e zyrtarëve britanikë. Sipas të drejtës zakonore, praktikës gjyqësore të kësaj Gjykate dhe të drejtës ndërkombëtare publike, përfshirë UNCAT, Lordët e nderuar arritën në përfundimin që ai nuk mund t’i pranonte.
137. Lordët ishin të ndarë për sa i përket testit të përshtatshëm që SIAC duhet të zbatonte për të përcaktuar nëse provat duhet të pranoheshin. Të gjithë Lordët ishin dakord që nuk ishte e udhës të ndërmerrej një qasje tradicionale ndaj barrës së provës duke pasur parasysh natyrën e procedurave të SIAC. Një apelues në një apel të SIAC nuk mund të pritej të arrinte më shumë sesa të paraqiste një arsye të mundshme që provat mund të ishin marrë përmes torturës. Në rastet kur ai arrinte ta bënte këtë, i takonte SIAC të fillonte hetimet relevante. Shumica (Lordët Hope, Rodger, Carswell dhe Brown) më pas gjetën që SIAC duhet të zbatonte testin e pranueshmërisë të përcaktuar nga neni 15 i UNCAT. Ata u shprehën që SIAC duhet kështu që konsiderojë nëse fakti nëse provat ishin marrë apo jo përmes torturës ishte vendosur mbi bazën e ekuilibrit të probabiliteteve. Nëse me këtë bindej, SIAC nuk duhet t’i pranojë provat por, nëse ishin të dyshimta, ai duhet t’i pranonte provat, duke mbajtur në mend dyshimin e vet gjatë vlerësimit. Përkundrazi, Lordët Bingham, Nicholls dhe Hoffmann gjetën që një test i ekuilibrit të probabiliteteve nuk do të përmbushej kurrë dhe do të dëmtonte efikasitetin praktik të UNCAT. Ata propozuan një test më të ulët, një test sipas të cilit aty ku SIAC arrinte në përfundimin që kishte rrezik real që provat ishin marrë përmes torturës, nuk duhet t’i pranonte provat.
...
C. Kanadaja
139. Në çështjen India kundër Singh 108 CCC (3d) 274 (1996), dhe Gjykata Supreme e British Columbia shqyrtuan një kërkesë për ekstradim ku pretendohej që argumentet prima facie kundër të arratisurit, Singh, ishte bazuar mbi pesë rrëfime të bashkë-komplotuesve të cilat ishin marrë përmes torturës. Gjykata u shpreh që, me qëllim të përcaktimit nëse ekstradimi mund të zhvillohej për shkak se kishte argumente prima facie, një deklaratë e marrë përmes torturës ishte e papranueshme. Megjithatë, barra e të provuarit që deklarata ishte marrë në këtë formë qëndronte mbi supet e të arratisurit i cili e kishte ngritur atë pretendim. U ra dakord që ky pretendim duhet të provohej mbi një ekuilibër të probabiliteteve. Gjykata gjeti që pretendimi nuk ishte provuar sipas atij standardi për katër prej deklaratave por ishte provuar për deklaratën e pestë.
140. Qasja ndaj çështjes A dhe të Tjerë (nr. 2) u vijua nga Gjykata Federale e Kanadasë në çështjen Mahjoub kundër Kanadasë (Ministria e Shtetësisë dhe Imigracionit). Mahjoub gjithashtu kishte të bënte me çështjen e dëbimit me garanci dhe është e përmbledhur në paragrafin 153 poshtë.
VI. PRAKTIKA GJYQËSORE KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE DHE KOMENTET MBI GARANCITË
141. Përveç komenteve mbi garancitë të cilat u përmblodhën në çështjen Ismoilov dhe të Tjerë kundër Rusisë, nr. 2947/06, §§ 96-100, 24 prill 2008, palët paraqitën materialet në vijim.
A. Raporte dhe komente të tjera ndërkombëtare
142. Në vërejtjet e tij të vitit 2006 në lidhje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Komiteti i Kombeve të Bashkuara Kundër Torturës rekomandoi që garancitë diplomatike duhet të besoheshin në lidhje me Shtete të cilat nuk i dhunojnë sistematikisht dispozitat e UNCAT, dhe pas një shqyrtimi të hollësishëm të thelbit të secilës çështje veçan. Ai rekomandoi procedura të qarta për marrjen e garancive, me anë të mekanizmave të duhura gjyqësore për shqyrtim, dhe marrëveshje monitoruese efektive pas kthimit.
143. Në një fjalë të mbajtur në shkurt 2006 para Grupit të Specialistëve për të Drejtat e Njeriut dhe Luftën kundër Terrorizmit (DH-S-TER) pranë Këshillit të Europës, Louise Arbour, Komisionerja e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, deklaroi:
“Duke u bazuar mbi përvojën e gjatë të organizmave dhe ekspertëve monitorues ndërkombëtarë, nuk ka gjasa që një mekanizëm monitorues pas kthimit i ngritur posaçërisht për parandalimin e torturës dhe keqtrajtimit në një çështje të dhënë do të kishte efektin e dëshiruar. Këto praktika zakonisht ndodhin në mënyrë të fshehtë, ku kryesit janë shumë të shkathët në mbajtjen në fshehtësi të këtyre abuzimeve. Viktimat, nga frika e ndëshkimit, shpesh ngurrojnë të flasin rreth vuajtjeve të tyre, ose edhe nëse flasin të tjerët nuk u besojnë.”
144. Në “pikëpamjet” e tij të datës 27 qershor 2006, Komisioneri i Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Thomas Hammarberg, deklaroi që garancitë diplomatike ishin premtime të cilat nuk ishin të besueshme dhe kishin dalë të ishin jo-efektive në raste të dokumentuara mirë. Mendimi i tij ishte që parimi i non-refoulement nuk duhet të dëmtohej nga premtime të leverdishme jo-detyruese.
145. Shqetësimet në lidhje me politikën e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për kërkimin e garancive janë shprehur po ashtu edhe nga Komisioni i Përbashkët mbi të Drejtat e Njeriut i Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar (në raportin e tij të datës 18 maj 2006) dhe nga Komisioni i Zgjedhur mbi Çështjet e Jashtme i Dhomës së Komuneve (në raportin e tij të datës 20 korrik 2008).
146. Human Rights Watch e ka kritikuar fuqimisht përdorimin e garancive. Në një ese në Raportin Botëror të saj të vitit 2008 të titulluar “Kujdes hendekun: garancitë diplomatike dhe erozioni i ndalimit botëror të torturës” (angl. “Mind the Gap: Diplomatic Assurances and the Erosion of the Global Ban on Torture”), ajo diskutonte që problemi me garancitë qëndronte në vetë natyrën e torturës, e cila praktikohej në mënyrë të fshehtë duke përdorur teknika që shpesh ishin vështirë të zbuloheshin. Gjithashtu, eseja përmbante marrëveshjet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Jordanisë. Ajo e karakterizonte Adaleh si një OJQ e vogël dhe vinte në pikëpyetje nëse, me pak përvojë, pavarësi të diskutueshme dhe pothuaj fare pa pushtet për të kërkuar llogari nga qeveria, ajo ishte në gjendje të garantonte sigurinë e një personi të kthyer në kuadër të një Memorandumi të Mirëkuptimit.
B. Ankesat në lidhje me nenin 3 të UNCAT
147. Siç u deklarua në paragrafin 127 lart, neni 3 i UNCAT parandalon refoulement aty ku ka baza substanciale për të besuar se dikush do t’i nënshtrohet torturës. Në çështjen Agiza kundër Suedisë (24 maj 2005, komunikata nr. 233/2003, CAT/C/34/D/233/2003), kërkuesi ishte dënuar in absentia nga gjykata egjiptiane në aktivitete terroriste të vitit 1998. Në vitin 2000, ai kërkoi azil në Suedi. Kërkesa e tij u refuzua dhe ai u dëbua në Egjipt në dhjetor 2001 ku ai pretendoi se u torturua. Nga vendimi i Komitetit duket se, gjatë kohës që kërkesa po shqyrtohej, zyrtarë të qeverisë suedeze janë takuar me përfaqësues të qeverisë egjiptiane në Kairo dhe kanë marrë garanci nga një zyrtar i lartë që kërkuesi do të trajtohej në përputhje me të drejtën ndërkombëtare pas kthimit.
148. Në shqyrtimin e ankesës së tij sipas nenit 3 të UNCAT, Komiteti konsideroi që autoritetet suedeze ishin në dijeni, ose duhet të kishin qenë në dijeni të përdorimit të përhapur dhe të vazhdueshëm të torturës në Egjipt, sidomos ndaj atyre që ishin burgosur për arsye politike apo sigurie. Suedia gjithashtu ishte në dijeni të faktit që kërkuesi hynte në këtë kategori dhe të interesit të shërbimeve të huaja të inteligjencës ndaj tij. Policët suedezë po ashtu kishin lejuar keqtrajtimin nga agjentë të një Shteti të huaj të paspecifikuar pak para dëbimit të kërkuesit. Këto faktorë nënkuptonin që dëbimi nga Suedia ishte në shkelje të nenit 3. Sipas mendimit të Komitetit: “marrja e garancive diplomatike, të cilat, për më tepër, nuk ofronin mekanizma për zbatimin e tyre, nuk mjaftonte si mbrojtje kundër këtij rreziku të dukshëm.”
149. Komiteti gjithashtu gjeti që Suedia kishte shkelur detyrimet e saj procedurale sipas të njëjtit nen për të zhvilluar një shqyrtim efektiv, të pavarur dhe të paanshëm të vendimit të dëbimit meqenëse ai ishte marrë nga qeveria suedeze pa rekurs në procesin e zakonshëm të apelit për vendimet në çështje azili. Suedia, përmes zhvendosjes së menjëhershme të kërkuesit pas atij vendimi, po ashtu kishte shkelur detyrimet e saj nga neni 22 i UNCAT për respektimin e të drejtës efektive të komunikimit individual me Komitetin.
150. Në çështjen Pelit kundër Azerbajxhanit (29 maj 2007, komunikata nr. 281/2005, CAT/C/38/D/281/2005), kërkuesi u ekstradua nga Azerbajxhani në Turqi, pavarësisht nga masa e përkohshme e Komitetit që thoshte se ai duhet të mos vepronte kështu deri sa ta kishte shqyrtuar çështjen. Duket se, para dorëzimit, Azerbajxhani kishte marrë garanci kundër keqtrajtimit nga Turqia dhe kishte ngritur një sërë dispozitash për monitorim pas dorëzimit. Komiteti gjeti shkelje të nenit 3 meqenëse Azerbajxhani nuk ia kishte ofruar garancitë Komitetit në mënyrë që Komiteti të zhvillonte vetë vlerësimin e vet të pavarur nëse ato ishin bindëse, as nuk kishte saktësuar me hollësi të mjaftueshme monitorimin e ndërmarrë dhe hapat e marrë për t’u siguruar që monitorimi ishte objektiv, i paanshëm dhe i besueshëm sa duhet.
C. Mohammed Alzery kundër Suedisë
151. Në çështjen Mohammed Alzery kundër Suedisë (10 nëntor 2006, komunikata nr. 1416/2005, CCPR/C/88/D/1416/2005), Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut shqyrtoi zhvendosjen e një shtetasi egjiptian nga Suedia për në Egjipt, pas garancive diplomatike që ishin marrë nga qeveria egjiptiane. Në lidhje me thelbin e çështjes, Komiteti gjeti:
“11.3 ... Ekzistenca e garancive diplomatike, përmbajtja e tyre dhe ekzistenca dhe zbatimi i mekanizmave të zbatimit janë të gjitha elemente faktike relevante për përcaktimin e përgjithshëm të faktit nëse, realisht, ka rrezik real të një keqtrajtimi të dënueshëm.
...
11.5 Komiteti vëren se garancitë e ofruara nuk përmbanin mekanizma për monitorimin e zbatimit të tyre. Po kështu, nuk ishte organizuar asnjë procedurë tjetër jashtë tekstit të vetë garancive e cila do të siguronte zbatimin efektiv të tyre. vizitat e ambasadorit dhe stafit të Shtetit Palë filluan pesë javë pas kthimit, duke neglizhuar një periudhë të ekspozimit maksimal ndaj rrezikut të lëndimeve. Njëkohësisht, vizita nuk iu përmbajt aspekteve kyçe të praktikave të mira ndërkombëtare duke mos ngulur këmbë për qasje private tek i pandehuri dhe për përfshirjen e ekspertizës së duhur mjekësore dhe forensike, edhe pasi dolën akuza substanciale për keqtrajtim. Duke pasur parasysh këto faktorë, Shteti Palë nuk ka treguar që garancitë diplomatike të ofruara në fakt ishin të mjaftueshme në rastin konkret për të eliminuar rrezikun e keqtrajtimit deri në një shkallë të pajtueshme me nenin 7 të Konventës. Përjashtimi i autorit kështu shkaktoi shkelje të nenit 7 të Konventës.”
D. Praktika gjyqësore kanadeze
1. Suresh
152. Në çështjen Suresh kundër Kanadasë (Ministër i Shtetësisë dhe Imigracionit) [2002] 1 SCR 3, Gjykata Supreme e Kanadasë njëzëri gjeti që e drejta kanadeze dhe ajo ndërkombëtare nuk lejonin dëbimin në rastet ku në prova kishte rrezik substancial të torturës. Ajo nuk gjeti që të gjitha rastet dëbimi do të ishte antikushtetues (dhe të drejtat e një refugjati mund të ekuilibroheshin kundrejt rrezikut që paraqiste ai ose ajo), por ekuilibri zakonisht shkonte deri tek dëbimi i refugjatit drejt një vendi ku ai ose ajo rrezikonte të torturohej. Gjykata gjithashtu bëri komentin e mëposhtëm në lidhje me besimin tek garancitë kundër torturës (paragrafët 124-25):
“Mund të bëhet dallimi mes garancive të ofruara nga një Shtet që ai nuk do të zbatojë dënimin me vdekje (përmes një procesi ligjor) dhe garancive të ofruara nga një Shtet që ai nuk do të kryejë tortura (proces i paligjshëm). Ne do të theksonim vështirësinë e të mbështeturit të tepërt tek garancitë e një Shteti që ai do të përmbahet nga tortura në të ardhmen kur ai ka kryer tortura të paligjshme ose ka lejuar të tjerë të veprojnë kështu në territorin e vet në të kaluarën. Kjo vështirësi bëhet akute në rastet kur tortura shkaktohet jo vetëm me marrëveshje të fshehtë por edhe për shkak të paaftësisë së Shtetit për të kontrolluar sjelljen e zyrtarëve të vet. Prandaj është e nevojshme të bëhet dallimi mes garancive lidhur me dënimin me vdekje dhe garancive lidhur me torturën. Të parat janë më të lehta për t’u monitoruar dhe përgjithësisht më të besueshme se të dytat.
Në vlerësimin e garancive të dhëna nga një qeveri e huaj, Ministri mbase mund të dojë të marrë në konsideratë historikun e të drejtave të njeriut të qeverisë që ofron garancinë, historikun e qeverisë në respektimin e garancive të veta, dhe kapacitetin e qeverisë për t’i përmbushur garancitë, posaçërisht kur ka dyshime rreth mundësisë së qeverisë për të kontrolluar forcat e saj të sigurisë.”
2. Mahjoub
153. Në çështjen Mahjoub kundër Kanadasë (Ministër i Shtetësisë dhe Imigracionit) (F.C.), 2006 FC 1503, e cila kishte të bënte me zhvendosjen drejt Egjiptit, Gjykata Federale e Kanadasë diskutoi dy pika: nëse Ministri duhet të mbështetej tek provat e marra përmes torturës për vlerësimin e rrezikut që përfaqësonte një individ ndaj sigurisë kombëtare; dhe nëse ishte me vend të mbështetej tek garancitë e ofruara nga një vend ku tortura praktikohej në mënyrë sistematike.
Për sa i përket pikës së parë, gjykata, pasi mori në konsideratë autoritetet relevante kanadeze dhe çështjen A dhe të Tjerë (nr. 2) (shih paragrafët 136-37 lart), gjeti që ishte gabim ligji të mbështetej në prova të cilat kishte gjasa të ishin marrë përmes torturës; megjithatë, duhet të ekzistonte një bazë e besueshme provash që lidhte torturën me provat specifike në fjalë në mënyrë që të arsyetonte përjashtimin e tyre. Testi i ekuilibrit të probabiliteteve i përdorur në çështjen Singh (shih paragrafët 139-40) nuk ishte i përshtatshëm në një çështje të sigurisë kombëtare ku kërkuesi nuk i shihte provat kundër tij. Kështu, aty kërkuesi kishte ngritur çështje në të cilën ishte ofruar një shpjegim bindës se pse provat kishin gjasa të ishin marrë përmes torturës, vendimmarrësi atëherë duhet ta shqyrtonte këtë çështje nën prizmin e informacionit publik dhe atij të fshehtë. Aty ku vendimmarrësi do të gjente që kishte baza të arsyeshme për të besuar se provat kishte gjasa të ishin marrë përmes torturës, marrja e vendimit përfundimtar nuk duhet të bazohej mbi to.
Për sa i përket pikës së dytë, gjykata gjeti që kishte qenë dukshëm e paarsyeshme që vendimmarrësi ekzekutiv ishte mbështetur tek garancitë e Egjiptit kundër keqtrajtimit në konkludimin që nuk kishte rrezik substancial të torturës në Mahjoub. Ajo deklaroi:
“[Faktorët e theksuar nga Gjykata Supreme në çështjen Suresh] paraqesin një ‘kornizë delikate’ për çdo analizë të besueshmërisë së garancive të dhëna nga një qeveri e huaj. Për shembull, një qeveri me historik jo të mirë të respektimit të të drejtave të njeriut normalisht do të kërkonte një vëzhgim më nga afër të respektimit të garancive. Historiku i mos-respektimit, nga ana tjetër, mund të kërkojë imponimin e kushteve shtesë, siç janë mekanizmat monitoruese apo mbrojtje të tjera të cilat mund të rekomandohen fuqimisht nga organet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Përkundrazi, një vend me historik të mirë të respektimit të të drejtave të njeriut rrjedhimisht ka gjasa t’i respektojë garancitë zakonisht, dhe prandaj kushtet shtesë mund të jenë të panevojshme për të shtuar besueshmërinë e garancive.”
Për sa i përket besimit tek garancitë, ekzekutivi nuk kishte arritur të merrte parasysh historikun e të drejtave të njeriut të qeverisë së Egjiptit si dhe historikun e saj të respektimit të garancive. Kjo bëhej edhe më shqetësuese duke marrë parasysh raportet e shumta të të drejtave të njeriut të cilat flisnin për mos-respektimin e të drejtave të njeriut nga Egjipti. Dy notat diplomatike të cilat përmbanin garancitë nuk përmendnin mekanizma monitoruese, dhe nuk përmbanin zotime specifike për mos-abuzimin e Mahjoub. Nuk kishte asgjë që sugjeronte se Kanadaja e kishte kërkuar një mekanizëm të tillë nga Egjipti.
3. Lai Cheong Sing dhe Tsang Ming Na
154. Në çështjen Lai Cheong Sing dhe Tsang Ming Na kundër Kanadasë (Ministër i Shtetësisë dhe Imigracionit), 2007 FC 361, kërkohej kthimi i kërkuesve në Kinë në mënyrë që ata të gjykoheshin për kontrabandë dhe ryshfet. U dërgua një notë diplomatike në të cilën Kina ofronte garanci që ata nuk do të dënoheshin me vdekje apo torturoheshin. Gjykata Federale gjeti që vendimmarrësi ekzekutiv kishte pasur të drejtën të bazohej tek garancinë kundër caktimit të dënimit me vdekje meqenëse Gjykata Supreme do të siguronte që kjo të respektohej.
Për sa i përkiste rrezikut të torturës, vendimmarrësja kishte njohur faktin që garancitë në vetvete përbënin një pranim të ekzistencës së rrezikut të torturës në vendin pranues por ajo kishte gjetur që këto konsiderata mënjanoheshin nga fama e keqe e kërkuesve, çka do t’i mbronte ata. Gjykata gjeti që ajo kishte gabuar këtu. Së pari, ajo nuk kishte arritur t’i adresonte argumentet e kërkuesve që garancitë nuk duhet të kërkoheshin kur tortura ishte mjaft sistematike apo e përhapur dhe, në mënyrë të veçantë, nuk kishte arritur të vlerësonte nëse ishte e përshtatshme të mbështetej tek garancitë e ofruara nga Kina. Së dyti, gjykata gjeti që një garanci duhet të paktën të përmbushë disa kërkesa thelbësore për t’u siguruar që ishte efektive dhe kuptimplote. Ndryshe nga dënimi me vdekje, tortura praktikohej pas dyerve të mbyllura dhe mohohej nga Shtetet aty ku ndodhte. Edhe mekanizmat monitoruese kishin dalë problematike meqenëse, për shembull, njerëzit që kishin vuajtur tortura apo keqtrajtime të tjera shpesh ishin tepër të frikësuar nga hakmarrja për të ngritur zërin. Prandaj, vendimmarrësi kishte gabuar duke mos arritur të përcaktonte nëse garancitë i përmbushnin kërkesat themelore për t’i bërë ato kuptimplote dhe të besueshme, dhe duke u mbështetur thjesht në faktin që fama e keqe e kërkuesve do t’i mbronte ata. Ky përfundim ishte dukshëm i paarsyeshëm. Në mënyrë që tortura të bëhej e ditur, duhet të kishte pasur disa mekanizma pajtueshmërie dhe verifikimi (me fjalë të tjera, sisteme efektive monitorimi nga organizata të pavarura). Prandaj, fama e keqe nuk do t’i shërbente kërkuesve nëse tortura praktikohej pa e marrë vesh kurrë askush.
Gjykata refuzoi parashtresën e kërkuesve që një gjyq i padrejtë në Kinë do të përbënte trajtim mizor dhe çnjerëzor ku pasoja ishte burgim i zgjatur. Gjykata gjeti që vendimmarrësi kishte pasur të drejtën të konkludonte që gjyqi do të ishte i drejtë kur, inter alia, nuk kishte prova që argumentet kundër kërkuesve ishin marrë përmes torturimit të dëshmitarëve.
VII. E DREJTA NDËRKOMBËTARE MBI SHQYRTIMIN E BURGIMIT DHE E DREJTA PËR GJYQ TË DREJTË
A. Shqyrtimi i burgimit
155. Neni 9 § 3 i Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike (angl. ICCPR) parashikon, inter alia, që çdo person i arrestuar ose i ndaluar pёr shkak tё njё vepre penale duhet tё nxirret, pa vonesë, pёrpara njё gjykatёsi ose ndonjё zyrtari tjetёr tё autorizuar me ligj pёr ushtrimin e funksioneve gjyqёsore. Komiteti i të Drejtave të Njeriut, në Komentin e tij të Përgjithshëm nr. 8 (1982) mbi nenin 9, theksonte se vonesat në pritje të daljes para një gjykatësi nuk duhet të ishin më të gjata se pak ditë. Ai ka gjetur shkelje të nenit 9 § 3 për sa u përket periudhave të burgimit prej katër ditësh, shtatë ditësh dhe tetë ditësh (respektivisht, në çështjet Freemantle kundër Xhamajkës, komunikata nr. 625/1995, CCPR/C/68/D/625/1995; Grant kundër Xhamajkës, komunikata nr. 597/1994, CCPR/C/56/D/597/1994; dhe Stephens kundër Xhamajkës, komunikata nr. 373/1989, CCPR/C/55/D/373/1989).
Në Rekomandimet e tij të Përgjithshme, Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Torturën ka deklaruar që periudha maksimale e burgimit pa urdhër gjyqi duhet të jetë dyzet e tetë orë (raporti i 17 dhjetorit 2002, E/CN.4/2003/68, paragrafi 26 (g)).
Në çështjen Kulomin kundër Hungarisë (komunikata nr. 521/1992, CCPR/C/50/D/521/1992), Komiteti i të Drejtave të Njeriut gjeti që autoriteti relevant për shqyrtimin e burgimit nuk mund të ishte prokurori publik që ishte përgjegjës për hetimet në çështjen e të dyshuarit, meqenëse ai prokuror nuk kishte objektivitetin dhe paanshmërinë e nevojshme institucionale.
B. Mundësia për të pasur avokat / Qasja ndaj avokatit
156. Përveç materialeve të konstatuara në çështjen Salduz kundër Turqisë [GC], nr. 36391/02, §§ 37-44, ECHR 2008, kërkuesi ka paraqitur materialet në vijim.
Neni 14 § 3 (b) i ICCPR parashikon që secili person i akuzuar për njё vepёr penale ka tё drejtё “tё ketё kohё dhe mundёsi tё mjaftueshme pёr tё pёrgatitur mbrojtjen dhe tё komunikojё me njё avokat tё zgjedhur prej tij”. Komiteti i të Drejtave të Njeriut, në Komentin e tij të Përgjithshëm nr. 20 (1992) në lidhje me nenin 14 deklaronte që mbrojtja e të burgosurit kërkon që ai të ketë qasje të menjëhershme dhe të rregullt tek avokatët. Mos-ofrimi i mundësisë për të pasur avokat për pesë ditë u gjet të shkelte nenin 14 në çështjen Gridin kundër Rusisë (komunikata nr. 770/1997, CCPR/C/69/D/770/1997).
Përveç Komentit të Përgjithshëm nr. 2 (cituar në çështjen Salduz, në paragrafin 43), Komiteti kundër Torturës ka theksuar të drejtën e personave të arrestuar për të lajmëruar dikë në lidhje me ndalimin e tyre, për të pasur qasje të menjëhershme tek një avokat, dhe për t’u kontrolluar nga një mjek i pavarur si mbrojtje themelore kundër torturës, sidomos gjatë orëve dhe ditëve të para të burgosjes/ndalimit kur rreziku i torturës ishte më i lartë se kurrë (shih përfundimet dhe rekomandimet në lidhje me Shqipërinë të datës 21 qershor 2005, CAT/C/CR/34/ALB, në paragrafin 8 (i), dhe Francën të 3 prillit 2006, CAT/C/FRA/CO/3, në paragrafin 16).
Raportuesi i Posaçëm mbi Torturën ka thënë që qasja tek një avokat duhet të sigurohet brenda njëzet e katër orëve (raporti i 3 korrikut 2001, A/56/156, në paragrafin 39 (f)).
C. Gjykatat ushtarake
157. Kërkuesi ka paraqitur materialet e së drejtës ndërkombëtare në vijim, të cilat janë paraqitur që nga çështja Ergin kundër Turqisë (nr. 6), nr. 47533/99, ECHR 2006-VI.
158. Në Komentin e Përgjithshëm nr. 32 të gushtit 2007 (CCPR/C/GC/32) në lidhje me nenin 14 të ICCPR (e drejta për gjyq të drejtë), Komiteti i të Drejtave të Njeriut deklaroi:
“Ndërkohë që Konventa nuk e ndalon gjykimin e civilëve në gjykata ushtarake apo të posaçme, ajo kërkon që gjykime të tilla të jenë në përputhje të plotë me kërkesat e nenit 14 dhe garancitë e tij nuk mund të kufizohen apo të modifikohen për shkak të natyrës ushtarake apo të posaçme të gjykatës në fjalë. Gjithashtu, Komiteti vëren që gjykimi i civilëve në gjykata ushtarake apo të posaçme mund të ngrejë çështje serioze për sa i përket administrimit të barabartë, të paanshëm dhe të pavarur të drejtësisë. Prandaj, është me rëndësi të merren të gjitha masat e nevojshme për t’u siguruar që gjykime të tilla të zhvillohen në kushte të cilat vërtet ofrojnë garancitë e plota të parashikuara në nenin 14. Gjykimet e civilëve në gjykata ushtarake apo të posaçme duhet të jenë të pazakonta, çka do të thotë të kufizohen me çështje ku Shteti Palë arrin të vërtetojë që zhvillimi i një gjykimi të tillë është i nevojshëm dhe i arsyetuar nga shkaqe objektive dhe serioze, dhe në rastet të cilat për shkak të kategorisë së caktuar të individëve dhe veprave në fjalë gjykatat e rregullta civile nuk janë në gjendje ta marrin përsipër gjykimin. [shënimet në fund të faqes janë lënë jashtë]”
159. Në çështjen Madani kundër Algjerisë (21 qershor 2007, komunikata nr. 1172/2003, CCPR/C/89/D/1172/2003), Komiteti arriti në përfundimin që gjykimi dhe dënimi i kërkuesit nga një gjykatë ushtarake ishte në shkelje të nenit 14. Kjo nuk u shmang nga fakti që gjyqtarët ushtarakë kishin një strukturë të pavarur të karrierës, ishin nën mbikqyrjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor apo që vendimet e gjykatës u apeluan pranë Gjykatës Supreme. Komiteti gjeti që Algjeria nuk kishte arritur të tregonte përse kërkohej rekurs në gjykatë ushtarake në çështjen Madani: pesha apo natyra e veprave nuk ishte e mjaftueshme. Ky përfundim nënkuptonte që Komiteti nuk e kishte të nevojshme të shqyrtonte nëse gjykata ushtarake, si çështje fakti, ofronte garancitë e plota të nenit 14.
E DREJTA
I. SHKELJET E PRETENDUARA TË NENIT 3 TË KONVENTËS
160. Duke u mbështetur në nenin 3 të Konventës, kërkuesi u ankua që ai do të ndodhej në rrezik real të nënshtrimit ndaj torturës dhe keqtrajtimit nëse do të dëbohej për në Jordani. Neni 3 parashikon si vijon:
“Askush nuk do t’i nënshtrohet torturës, as trajtimit ose dënimit çnjerëzor apo poshtërues.”
A. Parashtresat e palëve
1. Qeveria
161. Qeveria parashtroi që materialet mbi garancitë diplomatike të cilat kishin ofruar kërkuesi dhe palët e treta (shih paragrafët 141-46 lart) të gjitha flisnin për atë që duhet të ishte praktika e gjykatave, e jo për kërkesat e përcaktuara të Konventës. Qasja e kësaj Gjykate ka qenë të gjente që garancitë në vetvete nuk ishin të mjaftueshme për të parandaluar keqtrajtimin; megjithatë, Gjykata po ashtu do të shqyrtonte nëse këto garanci në zbatim praktik ofronin garanci të mjaftueshme për kundër keqtrajtimit (shih Babar Ahmad dhe Të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar (dec.), nr. 24027/07, nr. 11949/08 dhe nr. 36742/08, § 106, 6 korrik 2010). Më tej, në kundërshtim me parashtresën e kërkuesit (shih paragrafin 168 poshtë), në praktikën gjyqësore të Gjykatës, aty ku ekzistonte rreziku real i keqtrajtimit për shkak të torturave sistematike në vendin e destinimit, nuk bënte pjesë parimi që garancitë nuk kishin mundësi që ta eliminonin atë rrezik.
162. SIAC kishte ndjekur qasjen e Gjykatës për sa u përket garancive. Ai kishte marrë një shumllojshmëri provash, si në lidhje me kuptimin ashtu edhe në lidhje me efektin e mundshëm të garancive dhe situatës aktuale në Jordani. Ai i kishte shqyrtuar ato prova me kujdes të madh gjatë vendimit të vet. Të gjithë faktorët mbi të cilët ishte mbështetur në arritjen e përfundimeve vazhdonin të ishin të zbatueshëm po aq fuqishëm sa ç’ishin në kohën e vendimit. Përfundimet e tij nuk mund të ndryshoheshin nga raportet kritike që ishin botuar që nga vendimi i marrë; ato raporte ishin të natyrës së përgjithshme. Ato prova vetëm tregonin që gjendja e të drejtave të njeriut ishte duke u përmirësuar dhe sigurisht që nuk ishte përkeqësuar që nga vendimi i SIAC.
163. Qeveria parashtroi që SIAC kishte gjetur që garancitë e dhëna nga Jordania në çështjen në fjalë do të ishin të mjaftueshme sepse: (i) Jordania kishte vullnetin dhe mundësinë që t’i përmbushte ato që merrte përsipër; (ii) kërkuesi do të ishte i mbrojtur nga fama e tij / profili i tij i lartë; dhe (iii) do të kishte monitorim nga Qendra Adaleh.
164. Për sa i përket të parës, Qeveria përsëriti që garancitë e përmbajtura në MiM ishin dhënë në mirëbesim dhe ishin miratuar në nivelet më të larta të qeverisë jordaneze. Ato synonin të pasqyronin standardet ndërkombëtare. Nuk kishte mungesë qartësie në to, posaçërisht kur MiM interpretohej në kontekstin e tij diplomatik dhe politik. Interpretimi i duhur i kushteve në MiM siguronte që kërkuesi të dilte menjëherë para një gjykatësi apo zyrtari tjetër gjyqësor (çka, në ligjin jordanez, do të përfshinte Prokurorin Publik) dhe të kishte qasje në mbështetje ligjore dhe mjekësore. Të kritikohej MiM si i tillë që nuk ishte ligjërisht detyrues (siç kishte bërë kërkuesi) ishte të tradhtohej vlerësimi i mënyrës se si vepronin Memorandumet e Mirëkuptimit mes Shteteve në praktikë; ato ishin një mjet i qëndrueshëm dhe i shumëpërdorur në marrëdhëniet ndërkombëtare. Siç kishte gjetur SIAC, kishte arsye të forta që Jordania të vepronte në përputhje me këtë MiM në veçanti. Ishte në interes të të dyja qeverive që garancitë të respektoheshin; siç kishte gjetur edhe SIAC, pozicioni i Jordanisë në Lindjen e Mesme dhe marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara nuk e ndryshonin këtë. SIAC gjithashtu kishte gjetur që, pavarësisht nga parashtresa e kërkuesit në të kundërt, ishte në interes të të dyja qeverive që të zhvilloheshin hetimet e duhura lidhur me shkeljet e pretenduara të MiM. Në rastin konkret, po ashtu kishte rëndësi të konsiderueshme që GID, i cili do ta burgoste kërkuesin pas kthimit të tij, e kishte “nënshkruar” MiM, ishte përfshirë në negocimin e tij, kishte pranuar dispozitat e tij monitoruese dhe ishte në dijeni të pasojave të shkeljes së garancive. Më tej, Qeveria u mbështet në gjetjet e SIAC në apelin e VV (shih paragrafin 75 lart), i cili përditësoi dhe konfirmoi vendimin e SIAC në çështjen e kërkuesit në fjalë. Në çështjen VV, SIAC kishte pranuar provat e Z. Layden që marrëdhënia dypalëshe mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Jordanisë, mbi të cilën bazohej MiM, ishte e afërt.
165. Për të dytën, Qeveria kujtoi që SIAC kishte gjetur që kërkuesi ishte figurë e mirënjohur në botën arabe dhe që, pavarësisht nga MiM, kthimi dhe trajtimi i tij në vijim do të ishte çështje interesi të madh dhe shqyrtimi të kujdesshëm vendas dhe ndërkombëtar. Shoqëria civile jordaneze, përfshirë edhe parlamentarët jordanezë, do ta ndiqnin rastin e kërkuesit me interesim. Çdo keqtrajtim do të kishte jehonë të konsiderueshme dhe do të ishte destabilizues për qeverinë jordaneze. Siç kishte gjetur SIAC, ata që ishin përgjegjës për burgimin e tij do të ishin të ndërgjegjshëm për këto faktorë.
166. Për sa i përket të tretës, Qeveria theksoi që, megjithëse SIAC kishte kritikuar kapacitetet e Qendrës Adaleh, ajo nuk e kishte hedhur fare poshtë efektin e monitorimit; në fakt, ajo kishte gjetur që monitorimi do të kishte efekt pozitiv në reduktimin e rrezikut të keqtrajtimit. Për më tepër, që nga vendimi i SIAC, ekspertiza e Qendrës Adaleh ishte rritur në mënyrë domethënëse. Siç tregonin deklaratat e Z. Layden, ajo kishte marrë financime domethënëse nga Komisioni Evropian; kishte filluar monitorimin përmes ndihmësit së saj, Ekipi Kombëtar për Luftimin e Torturës (angl. NTCT); kishte fituar përvojë praktike në vizitat e të burgosurve, përfshirë edhe ata që mbaheshin nga GID; kishte fituar përvojë në punën me OJQ të tjera; kishte shtuar konsiderueshëm numrin e stafit të vet, përfshirë ekspertët mjekësorë; dhe kishte treguar pavarësinë e saj nga qeveria, posaçërisht nga GID, duke publikuar një studim mbi torturën. Në kundërshtim me sugjerimin e kërkuesit, ajo e kishte ruajtur statusin e saj jo-fitimprurës (dhe pavarësinë e saj) pavarësisht nga kritikat që kishte marrë nga OJQ të tjera për nënshkrimin e kushteve të punës. Qeveria më tej parashtroi që kritikat e kërkuesit ndaj Adaleh ishin, sidoqoftë, pa vend sepse monitorimi faktik do të zhvillohej nga ndihmësi i Adaleh, NTCT. Qeveria gjithashtu deklaroi që, cilatdo që të ishin problemet me monitorimin e të drejtave të njeriut në Jordani, MiM dhe kushtet e punës i jepnin Qendrës Adaleh një mandat të qartë dhe të hollësishëm dhe ishte krejtësisht e qartë për të gjitha palët se si do të shkonin vizitat monitoruese. Nëse Adaleh haste në probleme, ajo mund të vinte në dijeni ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Aman. Qeveria gjithashtu theksoi që ... monitorimi do të vazhdonte për sa kohë që kërkuesi ishte i burgosur.
167. Për këto arsye, Qeveria parashtroi që kishte dallime të konsiderueshme mes garancive të shqyrtuara më herët nga Gjykata dhe atyre të ofruara nga Jordania. Ato garanci, së bashku me dispozitat monitoruese, ishin të mjaftueshme për t’u siguruar që nuk do të kishte shkelje nëse kërkuesi dëbohej për në Jordani.
2. Kërkuesi
168. Kërkuesi parashtroi që, për sa i përket ligjit, kritikat e bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me garancitë ishin marrë në konsideratë siç duhet. Konsensusi ndërkombëtar ishte që garancitë minonin makinerinë e së drejtës ndërkombëtare të parashikuar për ndalimin e torturës dhe, nëse një vend nuk kishte vullnetin t’i përmbahej detyrimeve të tij ndërkombëtare ligjore, atëherë nuk kishte gjasa t’u përmbahej garancive dypalëshe. Po ashtu, përvoja ndërkombëtare tregonte se provat e të vepruarit në pajtim me to ishin dukshëm të vështira. Kërkuesi gjithashtu parashtroi që, pas qasjes së Gjykatës Supreme të Kanadasë në çështjen Suresh (shih paragrafin 152 lart), ishte po ashtu me vend të bëhej dallimi mes garancisë që një Shtet nuk do të bënte diçka të ligjshme, (si p.sh. zbatimi i dënimit me vdekje) dhe garancisë që ai nuk do të bënte diçka të paligjshme (si p.sh. kryerja e torturës). Për më tepër, sipas praktikës gjyqësore të kësaj Gjykate, në mënyrë të veçantë në çështjet Shamayev dhe të Tjerë kundër Rusisë, nr. 36378/02, ECHR 2005-III, dhe Ismoilov dhe të Tjerë, cituar lart, është parë që, kur tregohet se një rrezik i caktuar ishte i vërtetë në rastin e një individi, garancitë nuk do të ishin të mjaftueshme, sidomos kur tortura po ashtu vërtetohej të ishte sistematike në vendin e destinacionit. Prandaj, ai u shpreh se garancitë do të ishin të mjaftueshme vetëm ku (i) problemi i mëparshëm sistematik i torturës të vihej nën kontroll; dhe (ii) megjithëse veprime jo-sistematike të izoluara vazhdonin të ndodhnin, kishte monitorim të pavarur nga një organ me efektivitet të ditur dhe me sanksione penale kundër shkelësve. Këto kritere nuk ishin përmbushur në rastin e tij.
169. Kërkuesi u mbështet në provat e përmendura në paragrafët 106-24 lart, të cilat, u shpreh ai, tregonin që burgjet jordaneze ishin përtej sundimit të ligjit. Tortura ishte shumë e zakonshme, posaçërisht për burgjet e GID dhe të burgosurit islamikë, të cilët rriheshin shpesh. Pretendimet për tortura dështonin në mënyrë sistematike që të hetoheshin në mënyrë të menjëhershme dhe efektive. Këto prova ishin edhe më të forta sesa në kohën e vendimit të SIAC. Për më tepër, kultura e padënueshmërisë që mbizotëronte në GID e bënte të pamundur që ai t’u përmbahej garancive, edhe nëse dëshironte udhëheqësia e tij. Jordanisë nuk mund t’i besohej që të përmbushte detyrimet e saj ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Ajo kishte refuzuar t’i nënshtrohej çfarëdo forme të zbatimit të atyre detyrimeve; për shembull, kishte refuzuar të ratifikonte qoftë nenin 22 të UNCAT (të drejtën e peticionit individual drejtuar Komitetit Kundër Torturës) qoftë Protokollin Fakultativ të UNCAT (i cili kishte ngritur Nën-Komitetin për Parandalimin e Torturës dhe i kishte dhënë atij, inter alia, të drejtën për të vizituar vendet e burgimit).
170. Garancitë e qeverisë jordaneze edhe në rastin e tij duhet të shiheshin në kontekstin e tyre të duhur politik. Sado e rëndësishme strategjikisht, Jordania ishte e paqëndrueshme, e varur nga patronazhi amerikan, me tendenca kryengritjesh dhe e prekshme nga islamizmi. Kështu, ndërkohë që ai nuk e kontestonte që marrëdhëniet e jashtme mes Jordanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar ishin të afërta, kërkuesi konsideronte që këto faktorë kundërveprues nënkuptonin që marrëdhënia dypalëshe mes këtyre dy vendeve ishte e pamjaftueshme për të garantuar të vepruarit në pajtim me MiM.
171. Në këto kushte, fama e tij nuk do ta mbronte atë por faktikisht do ta vinte në rrezik më të madh; në fakt, ishte pikërisht fama e tij që kishte sjellë nevojën për MiM që në fillim. Ai ishte torturuar më parë sepse kishte kritikuar publikisht politikën e jashtme të Jordanisë. Kërkesa e Jordanisë për ekstradim ishte tërhequr sepse prania e tij nuk konsiderohej e dëshirueshme. Ai vlerësim mund të ishte konfirmuar vetëm nga përfundimet e SIAC për sa i përket kërcënimit ndaj sigurisë kombëtare që paraqiste ai për Mbretërinë e Bashkuar. Për më tepër, Jamil el Banna, Bishar al Rawi dhe Binyam Mohamed, të cilët ishin burgosur nga autoritetet amerikane në Gjirin e Guantánamos dhe gjetkë, kishin deklaruar që ata ishin marrë në pyetje gjatë rreth lidhjeve të tyre me të. Nëse dëbohej, ai do të shihej si kërcënim domethënës ndaj vendit dhe Lindjes së Mesme. Në një ambient kaq të paqëndrueshëm, llogaritjet e qeverisë jordaneze nëse duhet të vepronin në përputhje me MiM apo jo shumë thjesht mund të ndryshonin. Këto faktorë, të marrë së bashku me kulturën e pandëshkueshmërisë në GID, linin të kuptohej se fama e tij do të vepronte, jo si burim mbrojtjeje, por si magnet për abuzim. Për më tepër, ishte e paarsyeshme që SIAC të kishte gjetur se Jordania do t’u përmbahej garancive për shkak se një pretendim për keqtrajtim – qoftë i vërtetë ose jo – do të ishte po aq destabilizues si provë që pretendimi ishte i vërtetë. Pas kësaj gjetjeje, nuk do të kishte arsye që autoritetet jordaneze të mos e keqtrajtonin kërkuesin, meqenëse ai do ta kishte gjithmonë mundësinë që të ngrinte pretendime të rreme.
172. Në të njëjtën kohë, kishte disa mangësi në MiM. Nuk ishte e qartë se çfarë nënkuptohej me fjalën “gjykatës” për sa i përket garancisë që “ai do të dilte menjëherë para një gjykatësi”; kjo thjesht mund të kishte kuptimin që ai do të dilte para një prokurori që vepronte si gjyqtar administrativ. Po ashtu, nuk ishte e qartë nëse ai do të kishte qasje tek avokati gjatë periudhës së marrjes në pyetje në burg. Po ashtu, nuk ishte e qartë nëse MiM e ndalonte dërgimin, gjasat për të cilin rriteshin për shkak të interesit që kishin Shtetet e Bashkuara tek ai dhe provave të pjesëmarrjes së Jordanisë në dërgime të mëparshme. Së fundi, nuk ishte e qartë nëse, për sa i përkiste ligjit jordanez, garancitë në MiM ishin ligjore dhe të zbatueshme kur ato nuk ishin miratuar nga parlamenti jordanez. Ai paraqiti një deklaratë për atë qëllim nga kryetari i një OJQ-je tjetër jordaneze, Organizata Arabe për të Drejtat e Njeriut, e cila kishte refuzuar të merrte përsipër rolin e organit monitorues për këtë arsye.
173. Për sa i përket monitorimit të garancive, ai pajtohej me pikëpamjet e ndërhyrësve të palës së tretë që nuk kishte monitorim të pavarur në Jordani, një faktor i cili, u shpreh ai, duhet të çonte peshë në konsiderimin e kapaciteteve të Qendrës Adaleh. Për vetë Adaleh, tipari i spikatur në provat para Gjykatës ishte që, edhe gjatë kohës së ndërhyrjes prej vendimit të SIAC, ajo ishte ende pa përvojë praktike në monitorimin e të drejtave të njeriut dhe në vend të kësaj merrej më shumë me trajnime dhe këshillime. Për më tepër, megjithëse Adaleh kishte hartuar një raport lidhur me luftën kundër torturës në vitin 2008, duhej cekur që raporti nuk përmbante kritika direkte për GID.
174. Pavarësisht nga kufizimet e Adaleh, vetë natyra e monitorimit të përshkruar në kushtet e punës ishte gjithashtu e kufizuar. Në përputhje me ato kushte, Jordania mund të kufizonte qasjen në një vizitë në dy javë. Përveç kësaj, nuk kishte asnjë dispozitë në lidhje me vizitat e pavarura mjekësore; Adaleh nuk do të kishte qasje të papengueshme tek të gjitha ambientet e burgimit të kërkuesit, sepse ajo do të kishte vetëm të drejtën e një vizite private tek ai; nuk kishte mekanizëm me anë të të cilit Adaleh mund të hetonte një ankesë për keqtrajtim; as kërkuesi e as avokatët e tij nuk do të kishin qasje tek raportet e Adaleh drejtuar qeverive të Jordanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar; dhe dukej që monitorimi do të ishte i kufizuar brenda një periudhe prej tre vjetësh. Të gjithë këto faktorë tregonin që monitorimi i Adaleh nuk i përmbushte standardet ndërkombëtare, siç janë ato në Protokollin Fakultativ të UNCAT. Për më tepër, edhe nëse Adaleh kishte mundësi të kërkonte të hynte në ambientet e burgimit të kërkuesit, për t’i shpëtuar monitorimit autoritetet thjesht do t’i thonin stafit të saj që kërkuesi nuk dëshironte t’i takonte.
3. Ndërhyrësit e palës së tretë
175. Ndërhyrësit e palës së tretë (shih paragrafin 5 lart) parashtruan që përdorimi i garancive diplomatike ishte arsye për shqetësime serioze. Marrëveshje të tilla dypalëshe diplomatike ligjërisht të pazbatueshme dëmtonin natyrën ius cogens të ndalimit absolut të torturës dhe detyrimin për non-refoulement. Po ashtu, ato dëmtonin sistemin detyrues shumëplanësh ligjor ndërkombëtar i cili i mbante Shtetet përgjegjëse për këto detyrime. Garancitë ishin dënuar gjerësisht si të gabuara në parim dhe jo-efektive në praktikë nga ekspertë ndërkombëtarë si Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Komiteti i Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës, si dhe Komiteti i Përbashkët i Mbretërisë së Bashkuar për të Drejtat e Njeriut (shih paragrafët 141-45 lart).
176. Më praktikisht, garancitë kishin katër dobësi domethënëse. Së pari, ato nuk diktonin dot abuzimet. Tortura praktikohej në fshehtësi dhe teknikat e sofistikuara të torturave ishin të vështira për t’u dalluar, sidomos duke marrë parasysh ngurrimin e viktimave për të folur hapur me monitoruesit për shkak të frikës së masave ndëshkimore.
177. Së dyti, regjimet monitoruese që parashikoheshin me anë të garancive ishin të pakënaqshme. Për shembull, ato ishin në kontrast të pafavorshëm me praktikën e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq që të mos vizitohej kurrë një i burgosur i vetëm për të shmangur identifikimin e pavullnetshëm të atyre që ankoheshin për abuzime. Palët e treta po ashtu vërejtën që Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara gjithashtu e kishte refuzuar pohimin që vizitat tek një i burgosur i vetëm mund të ishin masë mbrojtëse efektive. Po ashtu, vlente të përmendej që Komiteti për Parandalimin e Torturës kishte refuzuar të monitoronte përputhshmërinë me garancitë.
178. Së treti, monitoruesve vendas shpesh u mungonte pavarësia e nevojshme. Ata nuk kishin autoritetin për të pasur qasje ndaj vendeve të burgimit, për të paraqitur ankesa apo për të ushtruar presion tek autoritetet për ndalimin e abuzimeve. Ata vetë ishin viktima të ngacmimit dhe frikësimit.
179. Së katërti, garancitë gjithashtu vuanin nga mungesa e stimulimit për të zbuluar shkeljet meqenëse asnjëra qeveri në fjalë nuk do të dëshironte të pranonte se kishte shkelur detyrimet e veta ndërkombëtare dhe, në rastin e qeverisë dërguese, të rrezikonte dëbimet e ardhshme për shkaqe të sigurisë kombëtare. Si premtime të pazbatueshme nga njëri Shtet tek tjetri, garancitë do të shkeleshin pa pasoja të rënda.
180. Palët e treta po ashtu parashtruan që vetë raportet e tyre (të përmbledhura në paragrafët 112-18 lart) kishin dokumentuar historikun e gjatë të Jordanisë të torturës dhe keqtrajtimit të të dyshuarve terroristë dhe atyre që përbënin kërcënim ndaj sigurisë kombëtare. Në parashtresën e tyre, ato raporte tregonin që GID kishte penguar në vazhdimësi përpjekjet për zhvillimin e monitorimit. Për shembull, në vitin 2003 Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ishte detyruar t’i pezullonte vizitat për shkak të shkeljeve nga GID të procedurave të vizitimit; Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara ishte penguar të zhvillonte intervista private. GID vazhdonte t’i mohonte të gjitha pretendimet për keqtrajtime. Mundësitë e zgjidhjeve për pretendime nuk ekzistonin dhe sanksionet penale ishin të pamjaftueshme. Zyrtarët e paktë që ishin dënuar për tortura kishin marrë dënime jashtëzakonisht të lehta.
181. Pikëpamja e palëve të treta, e cila bazohej mbi intervistat mes Human Rights Watch dhe Kryetarit të Adaleh, ishte që Qendra ishte një kompani jo-fitimprurëse e cila nuk kishte zhvilluar inspektime. Po ashtu, Qendra nuk kishte shprehur as privatisht as publikisht ndonjë shqetësim për keqtrajtime në ambientet e burgjeve në Jordani.
B. Pranueshmëria
182. Gjykata vëren që kjo ankesë nuk është dukshëm e pabazuar brenda kuptimit të nenit 35 § 3 të Konventës. Më tej vëren që ajo nuk është e papranueshme mbi ndonjë bazë tjetër. Prandaj ajo duhet të deklarohet e pranueshme.
C. Themelet
1. Parimet e përgjithshme
183. Së pari, Gjykata dëshiron të theksojë se, përgjatë historisë së saj, ajo ka qenë thellësisht e vetëdijshme për vështirësitë me të cilat përballen Shtetet në mbrojtjen e popullsive të tyre nga dhuna terroriste, e cila në vetvete përmban një kërcënim serioz ndaj të drejtave të njeriut (shih, inter alia, Lawless kundër Irlandës (nr. 3), 1 korrik 1961, §§ 28-30, Seria A nr. 3; Ireland kundër Mbretërisë së Bashkuar, 18 janar 1978, Seria A nr. 25; Öcalan kundër Turqisë [GC], nr. 46221/99, § 179, ECHR 2005‑IV; Chahal, cituar lart, § 79; A. dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 3455/05, § 126, 19 shkurt 2009; dhe A. kundër Holandës, nr. 4900/06, § 143, 20 korrik 2010). Para një kërcënimi të tillë, Gjykata e konsideron të ligjshme nga ana e Shteteve Kontraktore që të ndërmarrin një qëndrim të vendosur kundër atyre që janë kontribues të akteve terroriste, të cilat ajo nuk i fal në asnjë rrethanë (shih Boutagni kundër Francës, nr. 42360/08, § 45, 18 nëntor 2010, dhe Daoudi kundër Francës, nr. 19576/08, § 65, 3 dhjetor 2009).
184. Së dyti, në kuadër të luftës kundër terrorizmit, Shtetet duhet të lejohen që të dëbojnë jo-shtetas të cilët ato i konsiderojnë kërcënim ndaj sigurisë kombëtare. Nuk është pjesë e funksionit të Gjykatës të shqyrtojë nëse një individ përbën faktikisht një kërcënim të tillë; detyra e saj e vetme është të shqyrtojë nëse dëbimi i atij individi do të ishte në përputhje me të drejtat e tij apo të saj sipas Konventës (shih gjithashtu Ismoilov dhe të Tjerë, cituar lart, § 126).
185. Së treti, është vërtetuar që dëbimi nga një Shtet Kontraktues mund të ngrejë çështje të nenit 3, e rrjedhimisht të angazhojë detyrimin e atij Shteti sipas Konventës, aty ku tregohen baza të konsiderueshme për të besuar se, nëse dëbohet, personi në fjalë përballet me një rrezik real të nënshtrimit ndaj trajtimit në kundërshtim me nenin 3. Në rast të tillë, neni 3 parashikon detyrimin për të mos e dëbuar personin në fjalë drejt atij vendi. Neni 3 është absolut dhe nuk është e mundur të peshohet rreziku i keqtrajtimit kundrejt arsyeve të cekura për dëbim (shih Saadi kundër Italisë [GC], nr. 37201/06, §§ 125 dhe 138, ECHR 2008).
186. Së katërti, Gjykata pranon që, siç tregojnë materialet e paraqitura nga kërkuesi dhe ndërhyrësit e palëve të treta, ka shqetësime të gjera brenda bashkësisë ndërkombëtare lidhur me praktikën e kërkimit të garancive për të lejuar dëbimin e atyre që konsiderohet të jenë kërcënim për sigurinë kombëtare (shih paragrafët 141-45 lart, dhe Ismoilov dhe të Tjerë, cituar lart, §§ 96-100). Megjithatë, nuk i takon kësaj Gjykate të vendosë lidhur me përshtatshmërinë e kërkimit të garancive, apo për vlerësimin e pasojave afatgjata të kërkimit të garancive; detyra e saj e vetme është të shqyrtojë nëse garancitë e marra në një rast të caktuar janë të mjaftueshme për të hequr çdo rrezik real të keqtrajtimit. Prandaj, para se të shikohen faktet në çështjen e një kërkuesi, është e udhës të konstatohet qasja e Gjykatës ndaj garancive në çështjet e dëbimeve në kuadër të nenit 3.
187. Gjatë shqyrtimit nëse një kërkues përballet me rrezikun real të keqtrajtimit në vendin drejt të cilit zhvendoset, Gjykata merr në konsideratë si gjendjen e përgjithshme të të drejtave të njeriut në atë vend, ashtu edhe karakteristikat e veçanta të kërkuesit. Në një rast ku nga Shteti pranues janë ofruar garanci, ato garanci përbëjnë një faktor relevant të mëtejshëm të cilin Gjykata do ta marrë në konsideratë. Megjithatë, garancitë në vetvete nuk janë të mjaftueshme për të siguruar mbrojtjen e duhur ndaj rrezikut të keqtrajtimit. Ekziston detyrimi për të shqyrtuar nëse garancitë ofrojnë, në zbatimin e tyre praktik, siguri të mjaftueshme që kërkuesi do të jetë i mbrojtur nga rreziku i keqtrajtimit. Pesha që i jepet garancive nga Shteti pranues varet, në secilin rast, nga rrethanat që mbizotërojnë në kohën materiale (shih Saadi, cituar lart, § 148).
188. Në vlerësimin e zbatimit praktik të garancive dhe në marrjen e vendimit se çfarë peshe duhet t’u jepet atyre, çështja paraprake është nëse situata e përgjithshme e të drejtave të njeriut në Shtetin pranues e përjashton pranimin e çfarëdo garancive. Megjithatë, vetëm në raste të rralla situata e përgjithshme në një vend është e tillë që garancive nuk u jepet fare peshë (shih, për shembull, Gaforov kundër Rusisë, nr. 25404/09, § 138, 21 tetor 2010; Sultanov kundër Rusisë, nr. 15303/09, § 73, 4 nëntor 2010; Yuldashev kundër Rusisë, nr. 1248/09, § 85, 8 korrik 2010; dhe Ismoilov dhe të Tjerë, cituar lart, § 127).
189. Më zakonisht, Gjykata, së pari, vlerëson cilësinë e garancive të dhëna dhe, së dyti, nëse, duke pasur parasysh praktikat e Shtetit pranues, atyre mund t’u besohet. Duke vepruar kështu, Gjykata mban parasysh, inter alia, faktorët në vijim:
(i) nëse kushtet e garancive i janë bërë të ditura Gjykatës (shih Ryabikin kundër Rusisë, nr. 8320/04, § 119, 19 qershor 2008; Muminov kundër Rusisë, nr. 42502/06, § 97, 11 dhjetor 2008; shih gjithashtu vendimin e Komitetit të Kombeve të Bashkuara kundër Torturës në çështjen Pelit (shih paragrafin 150 lart));
(ii) nëse garancitë janë specifike apo janë të përgjithshme dhe të paqarta (shih Saadi, cituar lart; Klein kundër Rusisë, nr. 24268/08, § 55, 1 prill 2010; dhe Khaydarov kundër Rusisë, nr. 21055/09, § 111, 20 maj 2010);
(iii) kush i ka dhënë garancitë dhe nëse ai person mund ta detyrojë Shtetin pranues (shih Shamayev dhe të Tjerë kundër Gjeorgjisë dhe Rusisë, nr. 36378/02, § 344, ECHR 2005‑III; Kordian kundër Turqisë (dec.), nr. 6575/06, 4 korrik 2006; dhe Salem kundër Portugalisë (dec.), nr. 26844/04, 9 maj 2006: krahaso me Ben Khemais kundër Italisë, nr. 246/07, § 59, 24 shkurt 2009; Garayev kundër Azerbajxhanit, nr. 53688/08, § 74, 10 qershor 2010; Baysakov dhe të Tjerë kundër Ukrainës, nr. 54131/08, § 51, 18 shkurt 2010; dhe Soldatenko kundër Ukrainës, nr. 2440/07, § 73, 23 tetor 2008);
(iv) nëse garancitë janë dhënë nga qeveria qendrore e Shtetit pranues, nëse mund të pritet që autoritetet vendase t’i respektojnë ato (shih Chahal, cituar lart, §§ 105-07);
(v) nëse garancitë kanë të bëjnë me trajtim i cili është i ligjshëm ose i paligjshëm në Shtetin pranues (shih Cipriani kundër Italisë (dec.), nr. 221142/07, 30 mars 2010; Saoudi kundër Spanjës (dec.), nr. 22871/06, 18 shtator 2006; Ismaili kundër Gjermanisë (dec.), nr. 58128/00, 15 mars 2001; Nivette kundër Francës (dec.), nr. 44190/98, ECHR 2001-VII; dhe Einhorn kundër Francës (dec.), nr. 71555/01, ECHR 2001-XI; shih gjithashtu vendimet në Kanada të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës Federale, respektivisht, në çështjet Suresh dhe Lai Cheong Sing dhe Tsang Ming Na (shih paragrafët 152 dhe 154 lart).
(vi) nëse ato janë dhënë nga një Shtet Kontraktues (shih Chentiev dhe Ibragimov kundër Sllovakisë (dec.), nr. 21022/08 dhe nr. 51946/08, 14 shtator 2010, dhe Gasayev kundër Spanjës (dec.), nr. 48514/06, 17 shkurt 2009);
(vii) kohëzgjatja dhe fuqia e marrëdhënieve dypalëshe mes Shtetit dërgues dhe atij pranues, përfshirë edhe historikun e Shtetit pranues në respektimin e garancive të ngjashme (shih Babar Ahmad dhe të Tjerë, cituar lart, §§ 107-08, dhe Al‑Moayad kundër Gjermanisë (dec.), nr. 35865/03, § 68, 20 shkurt 2007);
(viii) nëse respektimi i garancive mund të verifikohet objektivisht përmes mekanizmave diplomatike apo të tjera, përfshirë sigurimin e qasjes së papenguar tek avokatët e kërkuesit (shih Chentiev dhe Ibragimov dhe Gasayev, të dy cituar lart; kontrast me Ben Khemais, § 61 dhe Ryabikin, § 119, të dy cituar lart, dhe Kolesnik kundër Rusisë, nr. 26876/08, § 73, 17 qershor 2010; shih gjithashtu vendimet e Komitetit të Kombeve të Bashkuara kundër Torturës në çështjet Agiza dhe Pelit (paragrafët 147-50 lart), dhe vendimin e Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në çështjen Mohammed Alzery (paragrafët 151 lart));
(ix) nëse ekziston një sistem efektiv i mbrojtjes ndaj torturës në Shtetin pranues, përfshirë gatishmërinë ose jo të Shtetit për të bashkëpunuar me mekanizmat monitoruese ndërkombëtare (përfshirë OJQ ndërkombëtare të të drejtave të njeriut), dhe nëse ai është i gatshëm të hetojë pretendimet për tortura dhe të dënojë përgjegjësit (shih Ben Khemais, §§ 59-60, cituar lart; Soldatenko, § 73, cituar lart; dhe Koktysh kundër Ukrainës, nr. 43707/07, § 63, 10 dhjetor 2009);
(x) nëse kërkuesi është keqtrajtuar më parë në Shtetin pranues (shih Koktysh, § 64, cituar lart); dhe
(xi) nëse besueshmëria e garancive është shqyrtuar nga gjykatat vendase të Shtetit Kontraktues/dërgues (shih Gasayev; Babar Ahmad dhe të Tjerë, § 106; dhe Al-Moayad, §§ 66-69, të gjitha cituar lart).
2. Argumentet e kërkuesit
190. Duke i zbatuar këto faktorë në çështjen në fjalë, Gjykata dëshiron të deklarojë që ajo ka shqyrtuar vetëm provat e hapura të dala para SIAC, provat shtesë që i janë paraqitur Gjykatës ... , dhe raportet publikisht të disponueshme mbi situatën e të drejtave të njeriut në Jordani ... Gjykata nuk i ka marrë provat e tjera të mbyllura që SIAC ka pasur përpara, as nuk i është kërkuar që t’i merrte në shqyrtim ato prova. Po kështu, meqenëse nuk e ka shqyrtuar vendimin e mbyllur të SIAC, nuk është relevante për vlerësimin, ex nunc, e vetë Gjykatës lidhur me ekzistencën apo jo të shkeljes së nenit 3 nga fakti që SIAC, në formulimin e përfundimit të vet në lidhje me nenin 3, ka shqyrtuar prova të tjera, të mbyllura, të cilat nuk janë shënuar në vendimin e tij të hapur.
191. Prandaj, duke iu kthyer provave para saj, Gjykata së pari vëren që pamja e paraqitur nga raportet e organeve të Kombeve të Bashkuara dhe OJQ-ve lidhur me torturat në burgjet jordaneze është sa konsekuente aq edhe shqetësuese. Sado që Jordania mund të ketë përparuar, tortura mbetet, me fjalët e Komitetit të Kombeve të Bashkuara kundër Torturës, “e përhapur dhe rutinë” (shih paragrafin 107 lart). Përfundimet e Komitetit konfirmohen nga raporte të tjera të përmbledhura në paragrafët 106-24 lart, të cilat tregojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm që torturat kryhen në mënyrë sistematike nga Drejtoria e Përgjithshme e Inteligjencës, veçanërisht kundër të burgosurve islamistë. Tortura gjithashtu praktikohet nga GID pa ndëshkim. Kjo kulturë e pandëshkueshmërisë, sipas mendimit të Gjykatës, nuk është e habitshme: provat tregojnë që sistemit të drejtësisë penale në Jordani i mungojnë shumë prej mbrojtjeve standarde të njohura ndërkombëtarisht për parandalimin e torturës dhe ndëshkimin e kryesve të saj. Siç vërente Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në vërejtjet përmbyllëse të tij, ka mungesë të një mekanizmi vërtet të pavarur të ankesave, numër të vogël të ndjekjeve penale, dhe mohim të qasjes së menjëhershme tek avokati dhe vizita e pavarur mjekësore (shih paragrafin 108 lart). Përfundimet e Komitetit Kundër Torturës (të cilat vërtetohen nga raportet e Amnesty International, Human Rights Watch dhe Qendra Kombëtare Jordaneze për të Drejtat e Njeriut) tregojnë që këto probleme rëndohen nga pushteti i gjerë i GID për burgosje dhe që, në rastet e Gjykatës së Sigurimit të Shtetit, afërsia e Prokurorit Publik me GID nënkupton që i pari nuk ka kontroll domethënës mbi të dytin (shih paragrafët 107, 112-13, 116 dhe 119-22 lart). Së fundi, siç konfirmojnë Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Amnesty International dhe Qendra Kombëtare Jordaneze për të Drejtat e Njeriut, ka mungesë të bashkëpunimit nga GID me monitorues të mirënjohur vendas dhe ndërkombëtarë (shih paragrafët 109 dhe 121 lart).
192. Si rezultat i këtyre provave, nuk është ndonjë gjë e madhe që palët ta pranojnë që, pa garanci nga qeveria jordaneze, do të ekzistonte një rrezik real i keqtrajtimit të kërkuesit në fjalë nëse ai do të kthehej në Jordani. Gjykata është dakord. Është e qartë se, si islamist i njohur, kërkuesi bën pjesë tek një kategori të burgosurish të cilët shpesh keqtrajtohen në Jordani. Gjithashtu vlen të përmendet edhe fakti që ai pretendon se është torturuar më parë në Jordani (shih kërkesën e tij për azil, të përmbledhur në faqe 7 lart). Megjithatë, në përputhje me qasjen e përgjithshme që Gjykata ka pasur në paragrafët 187-89 lart, Gjykata duhet njëkohësisht të marrë në konsideratë nëse garancitë e përmbajtura në MiM, të shoqëruara nga monitorimi i Adaleh, largojnë ndopak rrezikun real të keqtrajtimit të kërkuesit.
193. Në kuadër të diskutimit të asaj çështjeje, Gjykata vëren që kërkuesi ka shprehur disa shqetësime të përgjithshme dhe të veçanta mbi faktin se sa të mjaftueshme janë garancitë e dhëna nga Jordania për të hequr çdo rrezik real të keqtrajtimit të tij. Në përgjithësi, ai pohon që, nëse nga Jordania nuk mund të pritet që të respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare shumëplanëshe ligjërisht detyruese për të mos praktikuar tortura, atëherë prej saj nuk mund të pritet as që të veprojë në përputhje me garancitë dypalëshe jo-detyruese për të mos e bërë këtë. Po ashtu, ai ka argumentuar që tek garancitë nuk duhet mbështetur kurrë në rastet kur ka probleme të torturave dhe keqtrajtimit sistematik dhe diskuton më tej që, edhe kur ka prova të veprimeve të izoluara e jo-sistematike të torturës, garancitë të cilave u duhej besuar janë vetëm ato që mbështeten nga monitorimi i pavarur prej një organizate me historik të verifikueshëm të efektivitetit në praktikë. Gjykata nuk konsideron që këto parashtrime të përgjithshme mbështeten nga praktika e saj gjyqësore mbi garancitë. Siç tregojnë parimet e përgjithshme të cekura në paragrafët 187-89 lart, Gjykata asnjëherë nuk ka vendosur rregull absolute që një Shteti i cili nuk respekton detyrimet shumëpalëshe nuk mund t’i besohet që do të veprojë në pajtim me garanci dypalëshe; shkalla deri ku një Shtet dështon në respektimin e detyrimeve të tij shumëpalëshe është, më së shumti, një faktor në përcaktimin e faktit nëse garancitë e tij dypalëshe janë të mjaftueshme. Po kështu, nuk është i ndaluar kërkimi i garancive kur ka probleme sistematike me tortura dhe keqtrajtime në Shtetin pranues; përndryshe, siç vërejti Lord Phillips (shih paragrafin 57 lart), do të ishte paradoksale nëse thjesht fakti i nevojës së kërkimit të garancive nënkuptonte që ato nuk ofronin mbështetje.
194. Më tej, Gjykata nuk konsideron që situata e përgjithshme e të drejtave të njeriut në Jordani përjashton pranimin e çfarëdo garancie nga qeveria jordaneze. Përkundrazi, Gjykata konsideron që qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Jordanisë kanë bërë përpjekje serioze për të siguruar dhe ofruar garanci transparente dhe të hollësishme për të siguruar që kërkuesi nuk do të keqtrajtohet pas kthimit në Jordani. Fryti i atyre përpjekjeve, Memorandumi i Mirëkuptimit, është superior si në detaje ashtu edhe në formalitetin e vet ndaj çdo garancie që Gjykata ka shqyrtuar më parë (krahaso, për shembull, garancitë e ofruara në çështjet Saadi, Klein dhe Khaydarov, të gjitha cituar në paragrafin 189 (ii) lart). MiM gjithashtu duket të jetë superior ndaj çdo garancie të shqyrtuar nga Komiteti i Kombeve të Bashkuara kundër Torturës dhe Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (shih Agiza, Pelit, dhe Mohammed Alzery, përmbledhur në paragrafët 147-51 lart). MiM është specifik dhe gjithëpërfshirës. Ai adreson drejtpërdrejt mbrojtjen e të drejtave të kërkuesit nga Konventa në Jordani (shih paragrafët 1-8 të MiM, të cekur në paragrafët 77-78 lart). MiM është gjithashtu i veçantë sepse i ka rezistuar shqyrtimit të gjatë të zhvilluar nga një tribunal i pavarur, SIAC, i cili kishte përparësinë e marrjes së provave të nxjerra nga të dyja palët, përfshirë dëshmitarët ekspertë të cilët iu nënshtruan kundër-ekzaminimeve të gjata (shih paragrafët 28 dhe 189 (xi) lart).
195. Gjykata gjithashtu është dakord me vlerësimin e përgjithshëm të SIAC që garancitë duhet të shihen në kontekstin në të cilin janë dhënë. Megjithëse Gjykata konsideron që, në deklaratat e tij dhënë Gjykatës (të përmbledhura në paragrafët 83-90 lart [shih tekstin e plotë të gjykimit, në bazën e të dhënave Hudoc]), Z. Layden ka tendencë të lehtësojë peshën e historikut të Jordanisë me tortura, falë pozicionit të tij ai është në gjendje të flasë me njëfarë autoriteti për sa i përket fuqisë së marrëdhënies dypalëshe mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Jordanisë si dhe rëndësisë së MiM-it në atë marrëdhënie. Nga deklaratat e Z. Layden, dhe nga prova të tjera para SIAC, Gjykata konsideron që ka prova të mjaftueshme për të konkluduar që garancitë janë dhënë në mirëbesim nga një qeveri marrëdhëniet dypalëshe të së cilës me Mbretërinë e Bashkuar kanë qenë historikisht shumë të forta (shih çështjet Babar Ahmad dhe të Tjerë, dhe Al-Moayad, të dyja cituar në paragrafin 189 (ii) lart). Më tej, ato janë miratuar në nivelet më të larta të qeverisë jordaneze, me miratimin e menjëhershëm të vetë Mbretit të Jordanisë. Kështu, është e qartë që, cilido qoftë statusi i MiM në ligjin jordanez, garancitë janë dhënë nga zyrtarë të cilët janë në gjendje ta detyrojnë Shtetin Jordanez (krahaso me çështjet Ben Khemais, Garayev, Baysakov dhe të Tjerë, dhe Soldatenko, të gjitha cituar në paragrafin 189 (iii) lart). Po kaq i rëndësishëm është edhe fakti që garancitë kanë marrë miratimin dhe mbështetjen e zyrtarëve të lartë në GID (krahaso me çështjen Chahal, cituar në paragrafin 189 (iv) lart). Sipas mendimit të Gjykatës, të gjithë këto faktorë shtojnë gjasat e veprimeve në pajtim me letrën dhe frymën e MiM.
196. Në mënyrë të ngjashme, megjithëse kërkuesi ka diskutuar që fama e tij do ta vinte atë në rrezik më të madh, Gjykata nuk mund ta pranojë këtë argument, duke marrë parasysh kontekstin më të gjerë politik në të cilin është negociuar MiM. Ajo konsideron që ka më shumë gjasa që fama e kërkuesit do t’i bëjë autoritetet jordaneze edhe më të kujdesshme për t’u siguruar që ai të trajtohet si duhet; qeveria jordaneze pa dyshim është e vetëdijshme që keqtrajtimi jo vetëm që do të kishte pasoja të rënda në marrëdhëniet dypalëshe me Mbretërinë e Bashkuar, por njëkohësisht do të shkaktonte zemërim ndërkombëtar. Dihet që, siç është cekur nga Gjykata Federale e Kanadasë në çështjen Lai Cheong Sing dhe Tsang Ming Na (shih paragrafin 154 lart), fama e keqe nuk ka peshë nëse tortura praktikohet pa e marrë vesh kurrë askush. Megjithatë, ai argument ka më pak peshë në çështjen në fjalë për shkak të mekanizmave monitoruese që ekzistojnë në rastin konkret dhe të cilat mungonin krejtësisht në Lai Cheong Sing dhe Tsang Ming Na.
197. Përveç shqetësimeve të përgjithshme rreth MiM, Gjykata vëren që kërkuesi është mbështetur në gjashtë aspekte specifike për sa i përket kuptimit dhe veprimit të garancive. Ai parashtron që MiM nuk është i qartë për sa u përket: (i) çfarë nënkuptohej me fjalën “gjyqtar” në lidhje me garancinë që ai “do të sillej menjëherë para një gjyqtari”; (ii) nëse ai do të kishte qasje tek një avokat gjatë marrjes në pyetje në kohën e burgimit të tij; (iii) nëse dërgimi ishte i ndaluar; (iv) nëse, sipas ligjit jordanez, garancitë në MiM ishin të ligjshme dhe të zbatueshme; (v) kushtet e qasjes së Adaleh tek ai; dhe (vi) kapaciteti i saj për të monitoruar garancitë. Gjykata do ta shqyrtojë secilën pikë me radhë.
198. Për të parin, Gjykata konsideron që MiM do të ishte fuqizuar në masë të konsiderueshme nëse do të kishte përmbajtur kushtin që kërkuesi të sillej brenda një kohe të shkurtër të përcaktuar, pas arrestimit, para një gjyqtari civil, në vend të një prokurori ushtarak. Kjo është edhe më e vërtetë duke pasur parasysh që përvoja ka treguar se rreziku i keqtrajtimit të të burgosurit është më i madh gjatë orëve apo ditëve të para të burgosjes së tij (shih pikëpamjet e Komitetit të Kombeve të Bashkuara kundër Torturës në paragrafin 156 lart, dhe Raportin e Nëntë të Përgjithshëm të Komitetit për Parandalimin e Torturës (CPT/Inf (99) 12), cituar në Panovits kundër Qipros, nr. 4268/04, § 46, 11 dhjetor 2008). Megjithatë, Gjykata vëren që, ndonëse është e pazakontë që avokatët t’i shoqërojnë të burgosurit në paraqitjet e tyre para Prokurorit Publik, sipas ligjit jordanez, kërkuesit do t’i lejohej e drejta për të pasur një avokat të pranishëm (shih raportin e Z. Al-Khalili dhe Z. Najdawi në paragrafin 97 lart [shih tekstin e plotë të vendimit, në bazën e të dhënave Hudoc]). Duke pasur parasysh që paraqitja e kërkuesit para Prokurorit Publik brenda njëzet e katër orësh pas kthimit të tij do të ishte mundësia e parë publike ku autoritetet jordaneze mund të demonstronin qëllimin për të vepruar në përputhje me garancitë, Gjykata konsideron që Prokurori Publik nuk ka gjasa të mos lejojë avokatin të jetë i pranishëm. Për më tepër, paraqitja e parë e kërkuesit para Prokurorit Publik duhet të shihet në kontekst të organizimeve të tjera që janë bërë për kthimin e tij. Për shembull, ka gjasa që monitoruesit që do të udhëtonin me kërkuesin nga Mbretëria e Bashkuar për në Jordani do të qëndronin bashkë me të të paktën një pjesë të kohës ditën e parë që ai do të ndalohej në Jordani. Kjo krahasohet në mënyrë të favorshme me vonesën prej pesë javësh për të fituar të drejtën e qasjes, çka Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut e gjeti të ishte e mangët në çështjen Mohammed Alzery (shih paragrafin 151 lart) dhe zvogëlon në mënyrë domethënëse çdo rrezik keqtrajtimi që mund të ketë dalë nga mungesa e qartësisë në MiM.
199. Për shqetësimin e dytë, mungesa e avokatit gjatë marrjes në pyetje, SIAC gjeti që nuk kishte gjasa që kërkuesi të kishte avokat të pranishëm gjatë marrjes në pyetje nga GID, që kishte gjasa që ai do të kishte një avokat të pranishëm gjatë marrjes në pyetje nga Prokurori Publik dhe shume gjasa që ai do të kishte një përfaqësim të tillë për çdo paraqitje para një gjyqtari. Mohimi i pasjes së avokatit për një të burgosur posaçërisht gjatë marrjes në pyetje, është çështje shqetësimi serioz: e drejta e të burgosurit për të pasur qasje ndaj ndihmës ligjore është një mbrojtje themelore kundër keqtrajtimit (shih çështjen Salduz, cituar lart, § 54). Megjithatë, në rastin konkret, ai rrezik është zvogëluar në mënyrë substanciale nga mbrojtje të tjera që përmbahen në MiM dhe nga organizimet monitoruese.
200. Për shqetësimin e tretë, Gjykata nuk e rrëzoi krejtësisht rrezikun që kërkuesi të keqtrajtohej nëse do të merrej në pyetje nga CIA, që ai vendosej në një burg “fantazmë” të GID ose CIA-s në Jordani, ose do të dërgohej në një vend tjetër jashtë Jordanisë. Në çështjen Babar Ahmad dhe të Tjerë (cituar lart, §§ 78-82 dhe 113-16), Gjykata vërejti që dërgimi i jashtëzakonshëm, ...përmes shmangies së qëllimshme nga procesi i duhur, ishte anatema e sundimit të ligjit dhe vlerave të mbrojtura nga Konventa. Megjithatë, në atë rast, ajo gjeti që ankesat e kërkuesve që ata do t’i nënshtroheshin dërgimit të jashtëzakonshëm nuk ishin dukshëm të pabazuara. Megjithëse Shtetet e Bashkuara, të cilat kishin kërkuar ekstradimin e tyre, nuk kishin dhënë asnjë garanci të qartë kundër dërgimit, ato kishin dhënë garanci që ata do të gjykoheshin para gjykatave federale; Gjykata gjeti që dërgimi vështirë se do të ishte në përputhje me ato garanci.
Konsiderata të ngjashme ekzistojnë edhe në rastin konkret. Megjithëse dërgimi nuk përmendet në mënyrë specifike në MiM, ky i fundit tregon qartë se kërkuesi do të dëbohet për në Jordani, do të burgoset dhe rigjykohet për veprat për të cilat ai është dënuar in absentia në vitet 1998 dhe 1999. Nëse dënohet, ai do të vendoset në një burg të GID. Do të ishte krejtësisht në mospajtim me MiM që Jordania ta pranonte kërkuesin dhe, në vend që ta rigjykonte atë, ta mbante në një objekt të fshehtë në Jordani ose ta dërgonte atë në një Shtet të tretë. Po kështu, edhe sikur ai të merrej në pyetje nga autoritetet amerikane gjatë burgimit nga GID, Gjykata nuk gjen prova që të hedhin dyshime mbi përfundimin e SIAC që autoritetet jordaneze do të tregoheshin shumë të kujdesshme për t’u siguruar që Shtetet e Bashkuara të mos e “kalonin masën” duke vepruar në mënyra që shkelnin frymën e pse jo edhe letrën e MiM.
201. Për sa i përket shqetësimit të katërt, mund të ndodhë që sipas ligjit jordanez MiM nuk është ligjërisht i detyrueshëm. Natyrisht, si garanci kundër sjelljes së paligjshme, çështja duhet të trajtohej me më shumë skepticizëm sesa një çështje tjetër ku Shteti merr përsipër të mos bëjë atë që i lejohet të bëjë sipas ligjit vendas (shih paragrafin 189 (v) lart). Sidoqoftë, SIAC e vlerësoi këtë dallim. Është e qartë nga vendimi i tij që SIAC ka ushtruar kujdesin e duhur që kërkon një garanci e tillë (shih gjetjet e përgjithshme të tij në MiM në paragrafët 29 e vijues më lart). Gjykata është dakord me mendimin e SIAC, jo vetëm që për Jordaninë në këtë rast do të kishte një stimul real dhe të fortë që të mos dilte që kishte shkelur fjalën e vet, por që mbështetja për MiM në nivelet më të larta në Jordani do të zvogëlonte në minimum rrezikun që pjesëtarët e lartë të GID, të cilët kishin marrë pjesë në negociatat për MiM, të toleronin veprime në mospajtim me kushtet e tij.
202. Për sa i përket të pestit, kërkuesi është mbështetur në mospërputhjen mes versioneve në arabisht dhe në anglisht të MiM si prova që Adaleh do të ketë qasje tek ai vetëm për tre vjet pas dëbimit të tij. Megjithatë, Gjykata konsideron që kjo çështje është zgjidhur nga notat diplomatike të cilat janë shkëmbyer mes qeverive të Jordanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar (shih deklaratën e dytë të Z. Layden në paragrafin 90 lart [shih tekstin e plotë të vendimit në bazën e të dhënave Hudoc]), të cilat bëjnë të qartë që Adaleh do të ketë qasje tek kërkuesi për sa kohë që ai do të qëndrojnë në burg.
203. Së fundi, për sa i përket shqetësimit të gjashtë, është e qartë që Qendra Adaleh nuk ka ekspertizën apo burimet që kanë OJQ-të e mëdha ndërkombëtare siç janë Amnesty International, Human Rights Watch apo Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. As nuk ka të njëjtin reputacion apo status në Jordani, siç ka për shembull NCHR jordanez. Megjithatë, në vendimin e tij SIAC e ka njohur këtë dobësi. Ai ka njohur “mungesën relative të përvojës dhe fushëveprimit” të Qendrës por është shprehur se rëndësi kishte pikërisht fakti i vizitave monitoruese (shih paragrafin 31 lart). Gjykata është dakord me këtë përfundim. Për më tepër, Gjykata është bindur që kapaciteti i Qendrës është rritur në mënyrë të konsiderueshme që nga vendimi i SIAC, edhe sikur ajo të mos kishte pasur fare përvojë të drejtpërdrejtë monitoruese. Deklaratat e Z. Layden tregojnë që ajo ka pranuar fonde bujare nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, çka në vetvete i jep Qendrës një shkallë pavarësie, të paktën nga qeveria jordaneze. Duke pasur parasysh interesin më të gjerë të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për t’u siguruar që garancitë të respektohen, mund të pritet që këto financime do të vazhdojnë. Nuk duket të ketë ndonjë kundërshtim ndaj ndryshimeve që mund të kenë ndodhur në statusin ligjor të Qendrës, as ndaj faktit që disa organizata të tjera mund të jenë kontaktuar si organe të mundshme monitoruese para saj. Sado që duhet t’i besohet tregimit të Z. Wilke që kryetari i Qendrës, Z. Rababa, dukej se dinte pak në lidhje me procedurat ligjore të kërkuesit në Mbretërinë e Bashkuar, tanimë Z. Rababa duhet ta ketë të qartë, nga takimet që ka pasur me ministra të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, rolin e Qendrës në kuadër të monitorimit si dhe rëndësinë e kësaj çështjeje për qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar. Po kështu, ndonëse Z. Rababa mund të ketë lidhje familjare me shërbimet e sigurimit, ... nuk ka prova që ndonjë i afërt i tij do të jetë përgjegjës për burgimin e kërkuesit. Çka është më me rëndësi, ndjekja nga afër e çështjes që Qendra mund të presë nga qeveria jordaneze dhe nga shoqëria civile në shkallë ndërkombëtare mbi mënyrën se si ajo do ta zhvillojë monitorimin duhet të ngrejë peshë shumë më tepër sesa çdo rrezik i mundshëm për njëanshmëri që mund të dalë nga lidhjet familjare të Z. Rababa.
204. Ndonëse natyra e saktë e marrëdhënies mes Qendrës dhe ndihmësit të saj, Ekipit Kombëtar për Luftën kundër Torturës (angl. NTCT), është e paqartë, duket që NTCT ka staf të plotësuar dhe ka ekspertizën e nevojshme ndërdisiplinore mbi të cilën të mbështetet për të zhvilluar monitorimin (shih deklaratën e parë të Z. Layden në paragrafin 87 lart [shih tekstin e plotë të vendimit në bazën e të dhënave Hudoc]). Gjykata do të priste që, pavarësisht nga pretendimet në lidhje me përbërjen e NTCT, kërkuesi do të vizitohej nga një delegacion i cili do të përfshinte personel mjekësor dhe psikiatrik të aftë për të dalluar shenjat fizike apo psikologjike të keqtrajtimit (shih paragrafin 4 (d) mbi kushtet e punës për Qendrën, cituar në paragrafin 81 lart). Ekzistojnë të gjitha arsyet për të besuar që delegacionit do t’i jepet qasje private tek kërkuesi (paragrafi 4 (c) i kushteve të punës). Natyrisht që do të ishte në interes të kërkuesit që të takohet me delegacionin sipas orareve të caktuara paraprakisht dhe kështu Gjykata e konsideron të paarsyetuar që GID, për t’iu shmangur monitorimit, do t’i thoshte delegacionit që kërkuesi nuk dëshiron t’i takojë. Në rast se delegacioni do të merrte një përgjigje të tillë, Gjykata konsideron që kjo do të ishte pikërisht lloji i situatës që do të rezultonte me “përshkallëzimin e shpejtë të reagimeve dhe kontakteve diplomatike dhe ministrore” të parashikuara nga Z. Oakden në dëshminë e tij dhënë para SIAC (shih paragrafin 30 lart). Për këto arsye, Gjykata është e bindur që, pavarësisht nga kufizimet e saj, Qendra Adaleh do të ishte e aftë të verifikonte që garancitë do të respektoheshin.
205. Për arsyet e lartpërmendura Gjykata arrin në përfundimin që, mbi bazën e provave para saj, kthimi i kërkuesit në Jordani nuk do ta ekspozonte atë ndaj rrezikut real për keqtrajtim.
206. Së fundi, gjatë procedurave me shkrim, palët u pyetën nëse kërkuesi rrezikonte dënimin me burgim të përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht dhe, nëse po, nëse kjo do të ishte në përputhje me nenin 3 të Konventës. Palët ishin dakord që një rrezik i tillë nuk ekzistonte sepse dënimet me burgim të përjetshëm në Jordani zakonisht zgjasin njëzet vjet. Kërkuesi gjithashtu pranoi që kohëzgjatja e dënimit të tij mund të shqyrtohej në kontekst të ankesës së tij nga neni 6. Gjykata është dakord me palët dhe konsideron që, në rastin e kërkuesit, nuk do të kishte probleme nga neni 3 në lidhje me kohëzgjatjen e çfarëdo dënimi që mund t’i caktohej atij në Jordani.
207. Rrjedhimisht, Gjykata gjen që dëbimi i kërkuesit për në Jordani nuk do të ishte në shkelje të nenit 3 të Konventës.
...
III. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 5 TË KONVENTËS
226. Duke u nisur nga neni 5 i Konventës, kërkuesi u ankua së pari që, nëse dëbohej, ai do të ishte në rrezik real të mohimit flagrant të së drejtës së tij për liri siç garantohet nga ai nen për shkak të mundësisë në ligjin jordanez për burgim incommunicado deri në pesëdhjetë ditë. Së dyti, sërish mbi bazën e nenit 5, ai pretendoi që atij do t’i mohohej ndihma ligjore gjatë një burgimi të tillë. Së fundi, ai diskutoi që, nëse dënohet në rigjykimin e tij, çdo dënim me burg do të ishte shkelje flagrante e nenit 5 meqenëse do të ishte caktuar si rezultat i shkeljes flagrante të nenit 6.
Pjesët relevante të nenit 5 parashikojnë:
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë e të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj:
...
(c) kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht për t’u çuar përpara autoritetit gjyqësor kompetent pas dyshimit të arsyeshëm se ka kryer një vepër penale ose kur çmohet në mënyrë të arsyeshme e nevojshme për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj;
...
3. Çdo person i arrestuar ose i paraburgosur në rrethanat e parashikuara në paragrafin 1 (c) të këtij neni duhet të çohet menjëherë përpara një gjyqtari ose një zyrtari tjetër të autorizuar me ligj për të ushtruar funksione gjyqësore dhe ka të drejtë të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm ose të lirohet në gjykim e sipër. Lirimi mund të kushtëzohet nga garanci për t’u paraqitur para gjykatës.”
A. Parashtresat e palëve
1. Qeveria
227. Qeveria nuk e pranoi që neni 5 mund të përdorej si bazë në një çështje dëbimi (Gjykata kishte pasur dyshime nëse mund të ishte në çështjen Tomic kundër Mbretërisë së Bashkuar (dec.), nr. 17837/03, 14 tetor 2003). Edhe sikur të mund ta pranonte, në rastin konkret nuk dilte asnjë problem sepse kërkuesi nuk do të burgosej për një periudhë të gjatë para se të dilte para gjykatës. SIAC kishte gjetur që kishte gjasa që ai do të sillej para një “autoriteti gjyqësor” brenda dyzet e tetë orëve, edhe sikur ky autoritet të ishte një prokuror me status gjyqësor. Raporti i Z. Al-Khalili dhe Z. Najdawi konfirmoi që Prokurori Publik ishte zyrtar gjyqësor; ata gjithashtu kishin raportuar që periudha prej dyzet e tetë orësh gjatë së cilës policia duhet të njoftonte autoritetet e ligjit që çdo arrestim ishte reduktuar në njëzet e katër orë ... SIAC po ashtu kishte gjetur që nuk kishte gjasa të kërkohej vazhdimi i burgimit deri në pesëdhjetë ditë (shih paragrafin 41 lart). Të dyja gjetjet e SIAC ishin mbështetur nga Gjykata e Apelit dhe Dhoma e Lordëve. Në Dhomën e Lordëve, Lordi Phillips kishte gjetur po ashtu që burgimi pesëdhjetë ditësh nuk e përmbushte shkeljen e nenit 5 (shih paragrafin 58 lart) dhe, megjithëse ata nuk e pranonin që burgimi prej pesëdhjetë ditësh kishte gjasa të ndodhte, Qeveria u mbështet në konkluzionin e tij.
228. Qeveria gjithashtu deklaroi që garancitë në MiM që kërkuesi do të sillej menjëherë para një gjyqtari i zbatoheshin jo vetëm burgimit para rigjykimit për veprat për të cilat ai ishte dënuar in absentia por edhe ndaj çdo burgimi tjetër në Jordani. Së fundi, meqenëse ata nuk e pranonin që rigjykimi i kërkuesit do të ishte shkelje flagrante e drejtësisë, Qeveria konsideroi që nuk dilte asnjë çështje nga neni 5 në lidhje me ndonjë dënim me burg që mund t’i caktohej kërkuesit.
2. Kërkuesi
229. Kërkuesi parashtroi që provat tregonin se të burgosurit islamistë rëndom mbaheshin në burgim incommunicado deri në pesëdhjetë ditë, me urdhër të Prokurorit Publik. Një periudhë e tillë i kapërcente tej mase kufijtë kohorë të cilët ishin caktuar nga Gjykata (shih Brogan dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar, 29 nëntor 1988, §§ 61-62, Seria A nr. 145‑B, dhe Öcalan, cituar lart, § 103) dhe të cilët ishin të pranueshme më të drejtën ndërkombëtare (shih paragrafin 155 lart). Po ashtu, ishte në kundërshtim me praktikën gjyqësore të kësaj Gjykate dhe me të drejtën ndërkombëtare që një prokuror publik i cili kishte udhëheqjen e hetimeve të ishte përgjegjës për përcaktimin e ligjshmërisë së burgimit të vazhdueshëm. Kjo ishte edhe më e vërtetë kur Prokurori Publik në çështjet e Gjykatave të Sigurimit të Shtetit në Jordani ishte zyrtar ushtarak. Më tej, meqenëse MiM nuk e përkufizonte se çfarë do të thoshte “menjëherë para gjyqtarit”, kërkuesi konsideroi që e vetmja mënyrë për gjetjen e SIAC që ai do të sillej para një autoriteti gjyqësor brenda dyzet e tetë orëve ishte dëshmia e dëshmitarit nga Zyra për Punë të Jashtme dhe Commonwealth fillimisht përgjegjës për MiM, Z. Oakden. Megjithatë, nuk ishte e dukshme nga raporti i Z. Al-Khalili dhe Z. Najdawi që kjo dëshmi bazohej vetëm mbi të kuptuarit që kërkuesi do të sillej para Prokurorit Publik.
B. Pranueshmëria
230. Gjykata vëren që kjo ankesë nuk është dukshëm e pabazuar brenda kuptimit të nenit 35 § 3 të Konventës. Më tej ajo vëren që nuk është e papranueshme mbi asnjë bazë tjetër. Prandaj, ajo duhet të shpallet e pranueshme.
C. Themelet
1. A zbatohet neni 5 në një çështje dëbimi?
231. Gjykata pranon që në çështjen Tomic, cituar lart, ajo dyshonte nëse neni 5 mund të përdorej si bazë për një rast dëbimi. Megjithatë, ajo kujton që në çështjen Babar Ahmad dhe të Tjerë (cituar lart, §§ 100-16), kërkuesit u ankuan që nëse ekstradoheshin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe etiketoheshin si luftëtarë armiq apo i nënshtroheshin dërgimit atëherë do të kishte rrezik real për shkelje të neneve 3, 5 dhe 6 të Konventës. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar kishte dhënë garanci që kërkuesit nuk do të etiketoheshin kështu dhe do të gjykoheshin nga gjykatat federale. Si para gjykatave vendase ashtu edhe para kësaj Gjykate, ankesat e kërkuesve u shqyrtuan mbi bazën e faktit që ata i përmbushnin kriteret për t’u quajtur luftëtarë armiq dhe që, nëse quheshin kështu, do të kishte rrezik real për shkelje të neneve 3, 5 dhe 6 të Konventës. Përfundimisht, ankesat u refuzuan si dukshëm të pabazuara sepse garancitë e dhëna nga Shtetet e Bashkuara ishin të mjaftueshme për të hequr çdo rrezik real të etiketimit apo dërgimit. Po kështu, Gjykata kujton që, gjatë shqyrtimit të ankesës së kërkuesit nga neni 6 në çështjen Al-Moyayad (cituar lart, § 101)m ajo gjeti që:
“Një mohim flagrant i gjyqit të drejtë, e rrjedhimisht një mohim i drejtësisë, pa dyshim që ndodh kur një person burgoset për shkak të dyshimeve që ai ka planifikuar apo ka kryer një vepër penale pa pasur qasje ndaj një tribunali të pavarur dhe të paanshëm që të shqyrtojë ligjshmërinë e burgimit të tij apo të saj dhe, nëse dyshimet nuk dilnin se ishin të bazuara, të marrë lirimin [referenca është hequr].”
Meqenëse kjo vërejtje është bërë në kontekstin e ankesës së kërkuesit që ai do të burgosej pa gjyq në Gjirin Guantánamo, Gjykata gjen që kjo vërejtje duhet t’i zbatohet me fuqi edhe më të madhe nenit 5 të Konventës.
232. Gjykata gjithashtu konsideron që do të ishte e palogjikshme nëse një kërkues që përballet me burgim në një Shtet pranues pas një gjyqi të padrejtë në mënyrë flagrante mund të mbështetej tek neni 6 për të parandaluar dëbimin e tij në atë Shtet por një kërkues që përballej me burgim pa asnjë lloj gjyqi nuk mund të mbështetej tek neni 5 për të parandaluar dëbimin e tij. Po kështu, mund të ndodhë edhe një situatë ku një kërkues tashmë është dënuar në Shtetin pranues pas një gjyqi të padrejtë në mënyrë flagrante dhe do të ekstradohet drejt atij Shteti për të vuajtur një dënim me burg. Nëse nuk do të ekzistonte mundësia e rihapjes së procedurës penale pas kthimit të tij, ai nuk mund të mbështetej tek neni 6 sepse ai nuk do të rrezikonte mohimin e mëtejshëm flagrant të drejtësisë. Do të ishte e palogjikshme nëse ai kërkues nuk do të mund të mbështetej më pas tek neni 5 për të parandaluar ekstradimin e tij (shih, mutatis mutandis, Stoichkov kundër Bullgarisë, nr. 9808/02, §§ 51-56, 24 mars 2005, dhe Ilaşcu dhe të Tjerë kundër Moldavisë dhe Rusisë [GC], nr. 48787/99, §§ 461-64, ECHR 2004‑VII).
233. Prandaj, Gjykata konsideron që, pavarësisht nga dyshimet që ajo ka shprehur në çështjen Tomic, është që mundur që neni 5 të jetë i zbatueshëm në një rast dëbimi. Prandaj, Gjykata konsideron që një Shtet Kontraktues do të shkelte nenin 5 nëse ai do të zhvendoste një kërkues drejt një Shteti ku ai apo ajo do të ishte në rrezik real të shkeljes flagrante së atij neni. Sidoqoftë, ashtu si me nenin 6, duhet vendosur një kufi i lartë. Një shkelje flagrante e nenit 5 do të ndodhte vetëm nëse, për shembull, Shteti pranues në mënyrë arbitrare e burgos një kërkues për shumë vite pa pasur ndërmend ta nxjerrë atë para gjyqit. Shkelje e nenit 5 mund të jetë edhe në rastin kur një kërkues do të ishte në rrezik burgosjeje për një periudhë substanciale në Shtetin pranues, pasi të ishte dënuar më parë në përfundim të një gjyqi të padrejtë në mënyrë flagrante.
2. A do të kishte shkelje flagrante të nenit 5 në këtë rast?
234. Gjykata gjen që ankesa e dytë dhe ankesa e tretë e kërkuesit nga ky nen (mungesa e ndihmës dhe burgimi i mundshëm pas një gjyqi të padrejtë në mënyrë flagrante) janë më me vend kur shihen nën prizmin e nenit 6. Rrjedhimisht, ajo duhet vetëm të shqyrtojë ankesën e tij të parë (mundësia e burgimit incommunicado për një periudhë deri në pesëdhjetë ditë) sipas nenit 5.
235. Duke zbatuar parimet që ka përcaktuar në paragrafin 233 lart, Gjykata gjen që nuk do të kishte rrezik real për shkelje flagrante të nenit 5 për sa i përket burgimit paragjyqësor për kërkuesin në Jordani. Gjykata ka dyshime serioze për sa i përket faktit nëse një Prokuror Publik, si zyrtar i GID i cili është direkt përgjegjës për ndjekjen penale, dhe zyrtarët e të cilit ndodhen në objektin e GID, të mund të konsiderohet si “gjyqtar apo zyrtar tjetër i autorizuar me ligj për të ushtruar pushtet gjyqësor” (shih, për shembull, Medvedyev dhe të Tjerë kundër Francës [GC], nr. 3394/03, § 124, ECHR 2010, dhe vendimin e Komitetit për të Drejtat e Njeriut në çështjen Kulomin, cituar në paragrafin 155 lart). Kështu, ka pak peshë fakti që, sipas ndryshimeve në Kodin jordanez të Procedurës Penale, kërkuesi do të sillej para Prokurorit Publik brenda njëzet e katër orëve (shih raportin e Z. Al-Khalili dhe Z. Najdawi në paragrafin 96 lart [shih tekstin e plotë të vendimit në bazën e të dhënave Hudoc]). Megjithatë, është e qartë se Jordania synon ta nxjerrë kërkuesin para gjyqit dhe këtë duhet ta bëjë brenda pesëdhjetë ditësh pas burgosjes së tij. Gjykata është dakord me Lordin Phillips që burgimi prej pesëdhjetë ditësh nuk e arrin kohëzgjatjen e burgimit që kërkohet për të pasur shkelje flagrante të nenit 5 dhe, rrjedhimisht, nuk do të kishte shkelje të këtij neni nëse kërkuesi dëbohej për në Jordani.
IV. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 6 TË KONVENTËS
236. Në bazë të nenit 6 të Konventës, kërkuesi më tej u ankua që ai do të ishte në rrezik real të një mohimi flagrant të drejtësisë nëse do të rigjykohej në Jordani për cilëndo prej veprave për të cilat ai ishte dënuar in absentia.
Pjesa përkatëse e nenit 6 parashikon:
“Në përcaktimin e ... çdo vepre penale kundër tij, çdo person ka të drejtën e një ... seance të drejtë ... nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj. ...”
A. Parashtresat e palëve
1. Qeveria
237. Qeveria parashtroi që Gjykata duhet të ndërmerrte qëndrimin e Dhomës së Lordëve dhe të gjente që neni 6 do të angazhohej vetëm në rast të një konteksti jashtëterritorial kur një gjyq i padrejtë në një Shtet pranues do të kishte pasoja serioze për kërkuesin. Megjithatë ajo pranoi që, në rastin konkret do të kishte pasoja serioze për kërkuesin nëse ai dënohet dhe prandaj e pranoi testin e “mohimit flagrant të drejtësisë” që u zbatua.
238. Më tej, Qeveria parashtroi që “mohimi flagrant” duhet të interpretohej si një shkelje “kaq themelore saqë shkonte deri në asgjësimin, apo shkatërrimin e vetë thelbit, të së drejtës së garantuar” (shih opinionin pjesërisht pakicë të Gjyqtarëve Bratza, Bonello dhe Hedigan në çështjen Mamatkulov dhe Askarov [GC], nr. 46827/99 dhe nr. 46951/99, ECHR 2005-I). Në parashtresën e Qeverisë, ky ishte një test rreptësie, i cili do të përmbushej vetëm në raste shumë të jashtëzakonshme. Për më tepër, kërkoheshin arsye substanciale për të treguar që do të kishte një mohim flagrant të drejtësisë.
239. Qeveria ndërmori arsyetimin e SIAC dhe Dhomës së Lordëve që testi i mohimit flagrant të drejtësisë nuk ishte përmbushur në rastin konkret. Ajo pranoi që kishte mungesë të pavarësisë strukturore në Gjykatën e Sigurimit të Shtetit por zgjidhja bëhej përmes ankesës në Gjykatën e Kasacionit. Nuk kishte asgjë në parimet apo në praktikën gjyqësore të Gjykatës që tregonte se mungesa e pavarësisë strukturore të një gjykate nënkuptonte që do të kishte mohim flagrant të drejtësisë; gjithmonë duhej bërë një vlerësim i shkallës së padrejtësisë dhe kjo mund të bëhej vetëm në shkallë më të gjerë sesa thjesht duke parë mungesën e pavarësisë strukturore. Rrjedhimisht, kritikave ndërkombëtare për Gjykatën e Sigurimit të Shtetit apo materialeve ndërkombëtare mbi gjykimet e civilëve nga gjykatat ushtarake nuk duhet t’u jepet shumë peshë.
240. E njëjta gjë vlente edhe për mungesën e ndihmës ligjore paragjyqësore: neni 6 nuk parashikon të drejtën absolute për një ndihmë të tillë. Ishte e qartë nga gjetjet e SIAC që autoritetet jordaneze do të vepronin me kujdes në çështjen e kërkuesit dhe do të ishin thellësisht të vetëdijshëm që rigjykimi i kërkuesit do të monitorohej nga afër. Për shembull, gjykatat jordaneze nuk kishin gjasa të mbështeteshin mbi ato që kërkuesi kishte deklaruar gjatë marrjes në pyetje nga GID që nuk ishin përsëritur para Prokurorit Publik; ligji jordanez lejonte mungesën e avokatit vetëm para Prokurorit Publik për arsye të drejta (shih raportin e Z. Al-Khalili dhe Z. Najdawi në paragrafin 97 lart [shih tekstin e plotë të vendimit në bazën e të dhënave Hudoc).
241. Qeveria pranoi që pranimi i provave të marra përmes torturimit të të pandehurit do ta bënte të padrejtë gjyqin e atij të pandehuri. Megjithatë, e njëjta gjë nuk vlente në rastin e provave të marra përmes keqtrajtimit që nuk shkonte deri në torturë: edhe në kontekst “të brendshëm” ishte bërë një dallim nga Gjykata mes padrejtësisë si rezultat i provave të marra përmes torturës dhe provave të marra përmes formave të tjera të keqtrajtimit. Kur keqtrajtimi nuk arrinte kufirin e torturës, kishte një diskrecion për sa i përket faktit nëse provat e marra përmes atij keqtrajtimi mund të përdoreshin në gjyq (shih Jalloh kundër Gjermanisë [GC], nr. 54810/00, §§ 99 dhe 106‑07, ECHR 2006‑IX). Për më tepër, në bërjen e dallimit mes torturës dhe formave të tjera të keqtrajtimit, Gjykata zbatoi standardin e lartë të përcaktuar në nenin 1 të UNCAT (shih paragrafin 125 lart). Në rastin konkret, SIAC nuk kishte gjetur që provat kundër kërkuesit ishin marrë përmes torturës, por vetëm që kishte një rrezik real që ato ishin marrë përmes keqtrajtimit në kundërshtim me nenin 3. Rrjedhimisht, nuk kishte baza për të dalë në përfundimin që përdorimi i atyre provave automatikisht do të përbënte mohim flagrant të drejtësisë.
242. Qeveria gjithashtu parashtroi që një standard i lartë i provave duhet zbatuar kur, në kontekst jashtëterritorial, kërkuesi pretendonte që provat e marra përmes torturës apo keqtrajtimit do të përdoreshin në gjyq në Shtetin pranues. Qeveria vëren që gjykatat e Mbretërisë së Bashkuar do të pranonin prova aty ku ekzistonte një rrezik real që ato ishin marrë me anë të torturës, nëse nuk përmendej në ekuilibrin e probabiliteteve që ato ishin marrë në këtë mënyrë (vendimi i Dhomës së Lordëve në çështjen A. dhe të Tjerë (nr. 2), shih paragrafët 136-37 lart). Pra, duke pasur parasysh që provat në rastin konkret mund të merren ligjërisht dhe drejt në Mbretërinë e Bashkuar, do të ishte e palogjikshme që dëbimi nga Mbretëria e Bashkuar të ndalohej mbi ato baza. Prandaj, Qeveria parashtroi që një rrezik real që provat të ishin marrë përmes torturës apo keqtrajtimi tjetër nuk mjaftonte. Përndryshe, nuk mund të kishte shkelje flagrante të drejtësisë nëse nuk vendosej mbi bazën e ekuilibrit të probabiliteteve apo përtej dyshimit të arsyeshëm që provat ishin marrë përmes torturës. Ky standard i provave ishte në përputhje me: standardin e zbatuar nga Gjykata në çështjet “vendore” nga neni 3 dhe neni 6; nenin 15 të UNCAT; dhe me vendimin e Gjykatës së Apelit të Dyseldorfit, re. El Motassadeq, India kundër Singh, dhe Mahjoub (shih, respektivisht, paragrafët 129, 133, 135, 139 dhe 140 dhe 153 lart). Kërkuesi kështu nuk i kishte konstatuar argumentet e tij: provat e tjera mbi të cilat ai u mbështet nuk i shtuan asgjë provave që kishte pasur përpara SIAC dhe sidoqoftë ato kundërshtoheshin nga Z. Al-Khalili dhe Z. Najdawi. Më tej, çështja Mamatkulov dhe Askarov, cituar lart, tregoi që raportet e përgjithshme që provat e nxjerra nga torturat pranoheshin në mënyrë rutinë në Shtetin pranues nuk ishin të mjaftueshme për të përcaktuar që një kërkuesi të caktuar do t’i mohohej drejtësia në mënyrë flagrante. Kërkoheshin pra më shumë prova të drejtpërdrejta.
243. Qeveria konsideroi që argumenti i kërkuesit që ekzistonte detyrimi për të hetuar pretendimet për tortura nuk ishte relevant: Jordania nuk ishte Shtet Kontraktues i Konventës, kështu që nuk kishte detyrime pozitive ndaj Jordanisë për të hetuar shkeljet e nenit 3 të Konventës. Po kështu, megjithëse ishte e vështirë për një të pandehur jordanez të tregonte që një rrëfim i bërë para Prokurorit Publik nuk ishte i vullnetshëm (sepse pesha e provës rëndonte mbi të dhe jo mbi Prokurorin Publik), SIAC kishte gjetur që ligji jordanez e lejonte që të veprohej në këtë mënyrë. Po ashtu, ai kishte gjetur që vendimi i një gjykate jordaneze i cili zbatonte atë peshë të provës nuk do të ishte dukshëm i paarsyeshëm apo arbitrar e rrjedhimisht nuk do të kishte mohim flagrant të drejtësisë.
244. Së fundi, Qeveria parashtroi që ndaj provave të marra përmes torturave apo keqtrajtimeve të tjera të palëve të tretë nuk duhet të zbatohej ndonjë test i veçantë në krahasim me çdo faktor tjetër që mund ta bënte gjyqin të padrejtë. Edhe sikur të ndodhte kështu, kur nuk kishte asgjë më shumë se rrezik real që provat të ishin marrë përmes keqtrajtimit, pranimi i atyre provave në gjyq nuk do të shpinte drejt zhvleftësimit të së drejtës për gjyq të drejtë.
245. Prandaj, Qeveria parashtroi që këto tre faktorë (mungesa e pavarësisë, mungesa e ndihmës ligjore dhe rreziku i pranimit të provave të torturës), edhe të marra së bashku, nuk do të përbënin mohim flagrant të drejtësisë.
2. Kërkuesi
246. Ndryshe nga Qeveria, kërkuesi nuk e shihte caktimin e një burgimi afatgjatë si parakusht për gjetjen e një mohimi flagrant të drejtësisë, por rreziku i burgimit afatgjatë ishte element rëndues i padrejtësisë.
247. Kërkuesi parashtroi që testi i mohimit flagrant të drejtësisë ishte cilësor, jo sasior. “Flagrant” nënkuptonte i tillë që “zhvleftëson vetë thelbin e së drejtës” por nuk kërkonte që e drejta të zhvleftësohej krejtësisht. Gjithashtu nënkuptonte që padrejtësia duhet ishte e dukshme dhe e parashikueshme.
248. Kërkuesi parashtroi që një mohim flagrant i drejtësisë do të ndodhte në rigjykimin e tij nëse faktorët në vijim konsideroheshin të marrë së bashku: (i) që Gjykata e Sigurimit të Shtetit ishte gjykatë ushtarake, e ndihmuar nga një prokuror ushtarak; (ii) që ai ishte një i dyshuar civil terrorist famëkeq; (iii) që argumentet kundër tij bazoheshin në mënyrë vendimtare mbi rrëfime të cilat kishte shumë gjasa të ishin marrë me anë të torturave apo keqtrajtimeve të tjera nga agjentët ushtarakë; dhe (iv) që Gjykata e Sigurimit të Shtetit nuk do të hetonte si duhej nëse rrëfimet ishin marrë përmes torturave apo keqtrajtimit.
249. Për sa i përket përbërjes së Gjykatës së Sigurimit të Shtetit, kërkuesi u mbështet së pari tek dënimi nga Komiteti për të Drejtat e Njeriut i praktikës së gjykimit të civilëve nga gjykatat ushtarake (shih paragrafët 157-59 lart). Së dyti, ai u mbështet tek kritikat ndërkombëtare konkrete ndaj Gjykatës së Sigurimit të Shtetit të Jordanisë. Këto kritika përqendroheshin tek: mundësia e periudhave të zgjatura të burgimit incommunicado pa shqyrtim gjyqësor (në nivelin e Prokurorit Publik, zyrtar ushtarak); dështimi i Gjykatës së Sigurimit të Shtetit për të hetuar si duhej pretendimet për tortura dhe mungesa e pavarësisë dhe paanshmërisë së gjykatës. Kërkuesi gjithashtu u mbështet në padrejtësinë e rregullave të Jordanisë mbi provat lidhur me rrëfimet. Edhe në dëshmitë e Z. Al-Khalili dhe Z. Najdawi, dukej se Gjykata e Kasacionit kishte mendimin që, kur një rrëfim përsëritej para Prokurorit Publik, i takonte të pandehurit të vërtetonte që Prokurori ishte bashkëfajtor në marrjen e pavullnetshme të tij. Nëse i pandehuri nuk e vërtetonte këtë, rrëfimi ishte i pranueshëm pavarësisht nga çdo sjellje të papërshtatshme të mëparshme nga GID.
250. Në këtë kontekst, ai parashtroi që Gjykata e Sigurimit të Shtetit në Jordani ishte edhe më e diskutueshme se Gjykata e Sigurimit të Shtetit në Turqi të shqyrtuar në çështjen Ergin kundër Turqisë (nr. 6) (nr. 47533/99, ECHR 2006-VI). Si çështja Al-Moayad, cituar lart, ashtu edhe çështja Drozd dhe Janousel kundër Francës dhe Spanjës, 26 qershor 1992, Seria A, nr. 240 sugjeronin që gjykimi nga një gjykatë ushtarake, në vetvete, përbënte shkelje flagrante të nenit 6.
251. Për sa i përket ankesës së tij lidhur me pranimin e mundshëm të provave të marra përmes torturës, kërkuesi u mbështet më tej në provat që kishte siguruar ai (përmbledhur në paragrafët 102-05 lart [shih tekstin e plotë të vendimit në bazën e të dhënave Hudoc]), të cilat tregonin që: (i) rrëfimet e Abdul Nasser Al-Hamasher dhe Abu Hawsher ishin baza predominante për dënimet e tij në vendimet fillestare; dhe (ii) këto persona dhe disa nga të pandehurit e tjerë në secilin gjyq ishin mbajtur incommunicado, pa ndihmë ligjore dhe ishin torturuar. Kërkuesi pretendonte që provat e Znj. Refahi ishin të sakta: përdorimi i shenjës së gishtit mbi deklaratë ishte shenjë e qartë e një rrëfimi të rremë ... Një shenjë gishti nuk ishte thjesht, siç sugjeronin Z. Al-Khalili dhe Z. Najdawi, treguese e faktit që dhënësi i deklaratës nuk dinte shkrim-lexim, aq më pak kur, në rastin e Abu Hawsher, argumenti kundër tij ishte që ai kishte lexuar librat e kërkuesit.
252. Kërkuesi gjithashtu parashtroi që çdo dallim i mundshëm mes torturës dhe keqtrajtimit (qoftë në të drejtën ndërkombëtare apo në Konventë) ishte jo-material për dy arsye. Së pari, pretendimi i tij ishte që keqtrajtimi i Abdul Nasser Al-Hamasher dhe Abu Hawsher ishte kaq i ashpër saqë përbënte torturë. Së dyti, kishte shkelje të nenit 6 sa herë që përdorej keqtrajtimi për të marrë rrëfime dhe ishte e qartë se Abdul Nasser Al-Hamasher dhe Abu Hawsher ishin keqtrajtuar për atë arsye.
253. Përdorimi i provave nga torturat përbënin mohim flagrant të drejtësisë. Ndalimi i përdorimit të provave nga torturat, sipas parashtresës së kërkuesit, ishte pjesë e makinerisë ndërkombëtare përmes së cilës shprehej ndalimi ius cogens i torturës. Ky ndalim ishte i mishëruar në nenin 15 të UNCAT dhe në praktikën gjyqësore të kësaj Gjykate. Rregulla përjashtuese në nenin 15 duhet të lexohej së bashku me nenin 12 të UNCAT, i cili përcaktonte detyrën për të zhvilluar hetime kurdo që kishte baza të arsyeshme për të besuar që ishte kryer një veprim torture. Ishte e qartë nga raportet e organeve të Kombeve të Bashkuara dhe OJQ-ve (të përmbledhura në paragrafët 106-24 lart) që Prokurori Publik në Jordani nuk i kishte hetuar si duhej pretendimet për tortura dhe, në të vërtetë, nuk e kishte bërë këtë kur ato pretendime ishin ngritur në gjyqet e kërkuesit in absentia. Prandaj, ndërkohë që ai e pranonte që ai nuk kishte treguar në ekuilibrin e probabiliteteve që provat në çështjen e tij ishin marrë përmes torturave, ai kishte treguar përtej dyshimit të arsyeshëm që Jordania nuk do të hetonte pretendimet që ishin ngritur në rastin e tij.
254. Ishte e pasaktë nga ana e Qeverisë të sugjeronte që ligjit jordanez ishte në përputhje me ligjin anglez për sa i përkiste standardit të provave që duhet të zbatohej; ligji anglez në procedura penale nuk pranon prova deri sa pala e akuzës të vërtetojë që ato nuk janë marrë përmes torturave ... Për më tepër, pikëpamja e shumicës së Dhomës së Lordëve në çështjen A dhe të Tjerë (nr. 2) (shih paragrafët 136-37 lart) bazohej mbi supozimin që, në Mbretërinë e Bashkuar, një gjykatë e pavarur, SIAC, do të hetonte me ndërgjegjshmëri çdo pretendim që provat ishin marrë përmes torturave. Ky supozim nuk ishte i vërtetë për sa i përkiste Gjykatës së Sigurimit të Shtetit në Jordani. Para Gjykatës së Sigurimit të Shtetit, barra e provës i binte të pandehurit për të vërtetuar që rrëfimi ishte marrë me anë të torturës. Kjo ishte e padrejtë sepse nuk shoqërohej nga asnjë prej mbrojtjeve elementare ndaj keqtrajtimit, siç janë incizimi i marrjes në pyetje, periudhat e kufizuara të burgimit dhe qasja ndaj avokatëve dhe mjekëve.
255. Rrjedhimisht, për këto arsye, ishte e padrejtë të pritej prej tij që të vërtetonte përtej dyshimit të arsyeshëm apo mbi ekuilibrin e probabiliteteve që dëshmitarët kyç në çështjen e tij ishin torturuar.
256. Për sa u përket përfundimeve të gjykatave vendase, kërkuesi parashtroi që Gjykata e Apelit kishte ndërmarrë qasjen e duhur duke e shqyrtuar çështjen e tij me hollësi dhe kishte bërë si duhej krahasimin mes rrezikut real që rrëfimet ishin marrë përmes torturës kundrejt “litanisë së mungesës së mbrojtjeve elementare” në procedurën penale në Jordani. Nga ana tjetër, Dhoma e Lordëve kishte gabuar duke u fokusuar vetëm tek rreziku që provat ishin marrë përmes torturës dhe nuk e kishte analizuar sa duhej kombinimin e defekteve procedurale mbi të cilat mbështetej kërkuesi. Dhoma e Lordëve nuk u tregua e saktë kur u mbështet në çështjen Mamatkulov dhe Askarov, cituar lart. Vlerësimi i Dhomës së Madhe në atë çështje kishte ngjyrime të pikës nga neni 34, materialet para saj nuk ishin aq specifike dhe të detajuara sa në çështjen e tij, dhe nuk ishte i njëjti akumulim faktorësh si në çështjen e tij.
B. Pranueshmëria
257. Gjykata vëren që kjo ankesë nuk është dukshëm e pabazuar sipas kuptimit të nenit 35 § 3 të Konventës. Më tej ajo vëren që nuk është e papranueshme mbi baza të tjera. Prandaj duhet të deklarohet e pranueshme.
C. Themelet
1. Parimet e përgjithshme
(a) Testi i “mohimit flagrant të drejtësisë”
258. Në praktikën gjyqësore të Gjykatës është vendosur që përjashtimisht mund të ngrihen probleme lidhur me nenin 6 nga një vendim për dëbim apo ekstradim në rrethana kur një i arratisur kishte vuajtur ose rrezikuar mohimin flagrant të drejtësisë në vendin kërkues. Ky parim u përcaktua për herë të parë në çështjen Soering kundër Mbretërisë së Bashkuar, 7 korrik 1989, § 131, Seria A nr. 161, dhe është konfirmuar më pas nga Gjykata në disa çështje (shih, inter alia, Mamatkulov dhe Askarov, cituar lart, §§ 90-91, dhe Al-Saadoon dhe Mufdhi kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 61498/08, § 149, ECHR 2010).
259. Në praktikën gjyqësore të Gjykatës, termi “mohim flagrant i drejtësisë” ka qenë sinonim i një gjyqi i cili është dukshëm në kundërshtim me dispozitat e nenit 6 ose me parimet e mishëruara aty (shih Sejdovic kundër Italisë [GC], nr. 56581/00, § 84, ECHR 2006‑II; Stoichkov, cituar lart, § 56; dhe Drozd dhe Janousek, cituar lart, § 110). Megjithëse ende nuk është kërkuar që termi të përkufizohet më saktë, Gjykata sidoqoftë ka treguar se disa forma të caktuara të padrejtësisë mund të përbëjnë mohim flagrant të drejtësisë. Këto kanë përfshirë:
– dënimin in absentia pa mundësi të mëvonshme për marrjen e një përcaktimi të ri të themeleve të çështjes (shih Einhorn, cituar lart, § 33; Sejdovic, cituar lart, § 84; dhe Stoichkov, cituar lart, § 56);
– një gjyq i cili është i natyrës përmbledhëse dhe zhvillohet duke mos marrë fare parasysh të drejtat e mbrojtjes (shih Bader dhe Kanbor kundër Suedisë, nr. 13284/04, § 47, ECHR 2005-XI);
– burgimin pa qasje tek një tribunal i pavarur dhe i paanshëm për shqyrtimin e ligjshmërisë (shih Al-Moayad, cituar lart, § 101);
– refuzimin e qëllimshëm dhe sistematik të qasjes tek avokati, posaçërisht për një individ të ndaluar në një vend të huaj (ibid.).
260. Vlen të përmendet që, për njëzet e dy vjet që nga vendimi në çështjen Soering, Gjykata nuk ka gjetur asnjëherë që një dëbim të ishte në shkelje të nenit 6. Ky fakt, kur merret bashkë me shembujt e dhënë në paragrafin pararendës, shërben për të theksuar pikëpamjen e Gjykatës që “mohimi flagrant i drejtësisë” është një test i rreptë i padrejtësisë. Një mohim flagrant i drejtësisë shkon përtej parregullsive të thjeshta apo mungesës së mekanizmave mbrojtëse në procedura gjyqësore të tilla që mund të rezultojnë në shkelje të nenit 6 nëse ndodhin brenda vetë Shtetit Kontraktues. Ajo që kërkohet është shkelja e parimeve të gjyqit të drejtë të garantuara me nenin 6 i cili është aq themelor saqë shkon deri në zhvleftësimin, ose në shkatërrimin e vetë thelbit të së drejtës së garantuar me atë nen.
261. Për të vlerësuar nëse ky test është përmbushur, Gjykata konsideron se duhet të zbatohet i njëjti standard dhe barrë e provave si në çështjet e dëbimit nga neni 3. Prandaj, i takon kërkuesit të nxjerrë prova që vërtetojnë se ka baza substanciale për të besuar se, nëse ai zhvendoset nga një Shtet Kontraktues, ai do të ekspozohej ndaj rrezikut real të mohimit flagrant të drejtësisë. Aty ku nxirren prova të tilla, i takon Qeverisë të largojë çdo dyshim lidhur me to (shih, mutatis mutandis, Saadi, cituar lart, § 129).
262. Së fundi, duke pasur parasysh faktet e çështjes konkrete, Gjykata nuk e konsideron të nevojshme të përcaktojë nëse mohimi flagrant i drejtësisë ndodh vetëm kur gjyqi në fjalë do të kishte pasoja serioze për kërkuesin. Në rastin konkret është e qartë se dënimet që tashmë janë dhënë ndaj kërkuesit in absentia, dhe ndaj të cilave ai do të ekspozohej në çdo rigjykim, janë kushte substanciale të burgimit.
(b) A përbën pranimi i provave të marra përmes torturës mohim flagrant të drejtësisë?
263. Gjykata është dakord me Gjykatën e Apelit që çështja qendrore në rastin konkret është rreziku real që provat e marra përmes torturimit të personave të tretë do të pranohen në rigjykimin e kërkuesit. Rrjedhimisht, është e udhës të konsiderohet që në fillim nëse përdorimi në gjyq i provave të marra përmes torturës do të shkaktonte mohim flagrant të drejtësisë. Ashtu si Gjykata e Apelit (shih paragrafin 51 lart), Gjykata konsideron që do të kjo do ta shkaktonte një mohim të tillë.
264. E drejta ndërkombëtare, ashtu si e drejta zakonore para saj, ka deklaruar kundërshtimin e saj të qartë ndaj pranimit të provave të torturës. Për këtë ka arsye të forta ligjore dhe morale.
Është e vërtetë, siç vërejti Lordi Phillips në vendimin e Dhomës së Lordëve në rastin në fjalë, që një nga arsyet për ndalimin është se Shtetet duhet të qëndrojnë të vendosura kundër torturës duke përjashtuar provat që prodhon ajo. Vërtet, siç gjeti Gjykata në çështjen Jalloh, cituar lart, § 105, pranimi i provave të marra përmes torturës do të shërbente vetëm për të legjitimuar në mënyrë të tërthortë llojin e sjelljes moralisht të dënueshme të cilin synonin të parandalonin autorët e nenit 3 të Konventës.
Megjithatë, ka arsye të tjera po aq bindëse për përjashtimin e provave të torturës. Siç vërejti Lordi Bingham në çështjen A dhe të Tjerë (nr. 2), në paragrafin 52, provat e torturës përjashtohen sepse ato janë “të pabesueshme, të padrejta, ofenduese ndaj standardeve të zakonshme të njerëzimit dhe mirësjelljes dhe në mospërputhje me parimet të cilat duhet të ishin të ngërthyera në një tribunal që synon të administrojë drejtësi”. Gjykata është dakord me këto arsye: ajo tashmë ka gjetur që deklaratat e marra në shkelje të nenit 3 janë vetvetiu të tilla që nuk u besohet (shih Söylemez kundër Turqisë, nr. 46661/99, § 122, 21 shtator 2006). Në fakt, përvoja ka treguar mjaft shpesh që viktima e torturës flet gjithçka – të vërteta apo të pavërteta – si metoda më e shkurtër për ta çliruar veten nga ankthi i torturës.
Më rrënjësisht, asnjë sistem ligjor i bazuar mbi sundimin e ligjit nuk mund të tolerojë pranimin e provave – sado të besueshme – të cilat janë marrë me anë të një praktike kaq barbare si tortura. Procesi i gjyqit është gurthemel i sundimit të ligjit. Provat e torturës e dëmtojnë atë proces në mënyrë të pariparueshme; ato zënë vendin e sundimit të ligjit dhe njollosin reputacionin e çdo gjykate që i pranon ato. Provat e torturës përjashtohen për të mbrojtur integritetin e procesit gjyqësor dhe, përfundimisht, vetë sundimin e ligjit.
265. Këto arsye theksojnë përparësinë që i jepet ndalimit të provave të torturës në sistemin e Konventës dhe në të drejtën ndërkombëtare. Në lidhje me sistemin e Konventës, në vendimin e kohëve të fundit në çështjen Gäfgen kundër Gjermanisë ([GC], nr. 22978/05, §§ 165-67, ECHR 2010), Gjykata përsëriti që zbatohen konsiderata të veçanta në lidhje me përdorimin e provave të marra në shkelje të nenit 3 në procedura penale. Ajo vërejti:
“Përdorimi i provave të tilla, të siguruara si rezultat i shkeljes së një prej të drejtave themelore dhe absolute të garantuara me Konventë, gjithmonë ngre çështje serioze për sa i përket drejtësisë së procedurave, edhe nëse pranimi i provave të tilla nuk është aq vendimtar për sigurimin e dënimit.
Rrjedhimisht, Gjykata ka gjetur për sa u përket rrëfimeve, si të tilla, që pranimi i deklaratave të marra si rezultat i torturës apo keqtrajtimi tjetër në shkelje të nenit 3 si prova që konstatojnë faktet relevante në procedura penale i bënin procedurat në tërësi të padrejta. Kjo gjetje ishte e zbatueshme pavarësisht nga vlera provuese e deklaratave dhe pa marrë parasysh nëse përdorimi i tyre ishte vendimtar në sigurimin e dënimit të të pandehurit.
Për sa i përket përdorimit në gjyq të provave të vërteta të marra si rezultat i drejtpërdrejtë i keqtrajtimit në shkelje të nenit 3, Gjykata ka konsideruar se provat e vërteta inkriminuese të marra si rezultat i akteve të dhunës, të paktën nëse ato akte duhet të karakterizoheshin si tortura, nuk duhet të besoheshin asnjëherë si prova të fajësisë së viktimës, pavarësisht nga vlera e tyre provuese [referencat janë hequr].”
Çështja Gäfgen pasqyron pozicionin e qartë, konsekuent dhe të pandryshueshëm të kësaj Gjykate në lidhje me provat e torturës. Ajo e konfirmon atë që Gjykata e Apelit tashmë e ka konstatuar në rastin konkret: në sistemin e Konventës, ndalimi i përdorimit të provave të marra përmes torturës është themelor. Gäfgen gjithashtu konfirmon pikëpamjen e Gjykatës së Apelit që ka një dallim thelbësor mes një shkeljeje të nenit 6 për shkak të pranimit të provave të torturës dhe shkeljeve të nenit 6 që bazohen thjesht në defektet e procesit gjyqësor ose në përbërjen e trupit gjykues (shih paragrafët 45-49 të vendimit të Gjykatës së Apelit, cituar në paragrafin 51 lart).
266. Kjo pikëpamje gjen mbështetje të fuqishme në të drejtën ndërkombëtare. Pak norma ndërkombëtare lidhur me të drejtën vendimit janë më themelore sesa përjashtimi i provave të marra përmes torturës. Ka pak traktate ndërkombëtare të cilat komandojnë mbështetje aq të gjerë sa UNCAT. Një qind e dyzet e nëntë Shtete janë palë të dispozitave të saj, përfshirë të gjitha Shtetet anëtare të Këshillit të Europës (shih paragrafin 125 lart). UNCAT pasqyron vullnetin e qartë të bashkësisë ndërkombëtare për të thelluar edhe më tej ndalimin ius cogens të torturës duke ndërmarrë një sërë masash për çrrënjosjen e torturës dhe heqjen e të gjitha nxitësve të praktikimit të saj. Më e shquara mes dispozitave të UNCAT është neni 15, i cili ndalon, me terma pothuaj absolute, pranimin e provave të torturës. Ai përcakton një detyrim të qartë mbi Shtetet. Siç ka bërë të qartë Komiteti i Kombeve të Bashkuara kundër Torturës, neni 15 ka fushëveprim të gjerë. Ai është interpretuar si i tillë që zbatohet në të gjitha procedurat, përfshirë, për shembull, procedurat e ekstradimit (shih vendimet në çështjet P.E. kundër Francës, G.K. kundër Zvicrës, dhe Irastorza Dorronsoro, shih paragrafët 130 dhe 132 lart). Çështjet P.E. dhe G.K. po ashtu tregojnë që neni 15 zbatohet në “çdo deklaratë” që konstatohet se është dhënë si rezultat i torturës, jo vetëm ato që jepen nga të akuzuarit (shih gjithashtu, në këtë aspekt, Harutyunyan kundër Armenisë, nr. 36549/03, § 59, ECHR 2007‑VIII, dhe Mthembu kundër Shtetit (379/07) [2008] ZASCA 51, cituar në çështjen Gäfgen, cituar lart, § 74). Dhe vërtet, i vetmi përjashtim i ndalimit që lejon neni 15 është në procedurat kundër një personi të akuzuar për tortura.
267. Për arsyet e lartpërmendura, Gjykata konsideron që pranimi i provave të torturës është dukshëm në kundërshtim, jo vetëm me dispozitat e nenit 6, por edhe me standardet më themelore ndërkombëtare të gjyqit të drejtë. Ai do ta bënte të gjithë gjyqin jo vetëm të pamoralshëm dhe të paligjshëm, por edhe rezultatin e tij krejtësisht të pabesueshëm. Rrjedhimisht, do të përbënte një mohim flagrant të drejtësisë nëse prova të tilla do të pranoheshin në një gjyq penal. Gjykata nuk e përjashton që konsiderata të ngjashme mund të zbatohen edhe në lidhje me prova të marra përmes formave të tjera të keqtrajtimit të cilat nuk përbëjnë tortura. Megjithatë, për sa u përket fakteve të çështjes në fjalë (shih paragrafët 269-71 poshtë), nuk është e nevojshme të vendoset mbi këtë çështje.
2. Argumentet e kërkuesit
268. Kërkuesi ka pretenduar që rigjykimi i tij do të përbënte mohim flagrant të drejtësisë për shkak të disa faktorëve, përfshirë mungesën e një avokati gjatë marrjes në pyetje, famën e tij të keqe, dhe përbërjen e Gjykatës së Sigurimit të Shtetit (shih paragrafin 248 lart). Megjithatë, siç ka vërejtur Gjykata, çështja qendrore në këtë rast është pranimi i provave të torturës. Rrjedhimisht, ajo do të shqyrtojë së pari këtë ankesë.
(a) Provat e marra përmes torturës
269. Deklaratat inkriminuese kundër kërkuesit ishin bërë nga Abdul Nasser Al-Hamasher në gjyqin e reformës dhe sfidës dhe nga Abu Hawsher në gjyqin e komplotit të mijëvjeçarit (shih paragrafët 9-20 lart). SIAC gjeti që ekzistonte të paktën një rrezik shumë real që këto deklarata inkriminuese ishin marrë si rezultat i trajtimit nga GID në shkelje të nenit 3; ky trajtim mund të ketë shkuar ose jo deri tek tortura (shih paragrafin 420 të këtij vendimi, cituar në paragrafin 45 lart).
270. Është e paqartë në vendimin e tij përse SIAC nuk ka qenë në gjendje të arrinte një përfundim të qartë lidhur me faktin nëse keqtrajtimi ka përbërë torturë. Pretendimi i saktë i Abu Hawsher është që ai është rrahur në shputat e këmbëve deri në atë masë sa i binte lëkura sa herë që lahej ... Shenjat mbi trupin e Z. Al-Hamasher përputhen me këtë formë keqtrajtimi ... Qëllimi i atij keqtrajtimi, nëse ka ndodhur, mund të ketë qenë vetëm të merreshin informacione ose rrëfime prej tyre. Për më tepër, rrahja e shputave të këmbëve, e njohur më shumë si bastinado, falanga ose falaka, është një praktikë që është marrë në konsideratë nga Gjykata. Kjo praktikë shkakton dhimbje dhe vuajtje të mëdha tek viktima dhe, kur qëllimi i saj është ndëshkimi ose marrja e një rrëfimi, Gjykata nuk heziton ta karakterizojë atë si torturë (shih, mes shumë autoriteteve, Salman kundër Turqisë [GC], nr. 21986/93, §§ 114-15, ECHR 2000‑VII; Valeriu dhe Nicolae Roşca kundër Moldavisë, nr. 41704/02, § 64, 20 tetor 2009 dhe referencat e mëtejshme aty; Diri kundër Turqisë, nr. 68351/01, §§ 42-46, 31 korrik 2007; dhe Mammadov kundër Azerbajxhanit, nr. 34445/04, §§ 68-69, 11 janar 2007). Rrjedhimisht, ka arsye të konkludohet se, nëse Abu Hawsher dhe Abdul Nasser Al-Hamasher janë trajtuar në mënyrën në të cilën ata pretendojnë të jenë trajtuar, keqtrajtimi i tyre ka qenë torturë.
271. Ky përfundim do të thotë që dy çështjet që Gjykatës i mbeten për shqyrtim janë: (i) nëse rreziku i pranimit të provave të torturës është i mjaftueshëm; dhe (ii) në rast se po, nëse në këtë rast do të kishte mohim flagrant të drejtësisë.
(i) A mjafton rreziku real i pranimit të provave të torturës?
272. Për të vendosur mbi këtë çështje, Gjykata do të fillonte duke vërejtur se provat para saj që Abu Hawsher dhe Abdul Nasser Al-Hamasher janë torturuar janë edhe më bindëse sesa në kohën e vendimit të SIAC. Raporti i Z. Al-Khalili dhe Z. Najdawi është, në pjesën më të madhe, i ekuilibruar dhe objektiv. Ai vlerëson hapur pikat e forta dhe të dobëta të sistemit të Gjykatës së Sigurimit të Shtetit në Jordani dhe njeh përpjekjet e GID për të nxjerrë rrëfime nga të dyshuarit. Megjithatë, dobësia kryesore në raport është që autorët e tij nuk i shqyrtojnë vetë pretendimet për tortura që kanë ardhur nga të bashkëpandehurit e kërkuesit; raporti thjesht konstaton përfundimet e Gjykatës së Sigurimit të Shtetit në fund të secilit gjyq që të bashkëpandehurit nuk janë torturuar. Znj. Refahi, nga ana tjetër, ka udhëtuar dy herë drejt Jordanisë për të intervistuar avokatët dhe të pandehurit në vendimet fillestare. Dy deklaratat e saj japin tregime të hollësishme të intervistave të saj dhe shënojnë, qartë dhe me detaje, pretendimet e të pandehurve për tortura. Ekzistojnë të gjitha arsyet për të preferuar dëshminë e saj në krahasim me përfundimet më të përgjithësuara të Z. Al-Khalili dhe Z. Najdawi. Më tej, për gjyqin e komplotit të mijëvjeçarit, duhet të gjendet pak vërtetim për pretendimet e në raportin e Amnesty International të vitit 2006 i cili shënon gjetjet e tij që katër prej të pandehurve, përfshirë Abu Hawsher, ishin torturuar. Pretendimet për keqtrajtim të njërit të bashkëpandehur, Ra’ed Hijazi, janë posaçërisht bindëse, edhe sepse disa dëshmitarë janë raportuar ta kishin parë atë duke u mbajtur nga dy roje në rikrijimin e vendit të ngjarjes dhe ... trajtimi i tij duket të ketë qenë subjekt i një proteste diplomatike nga Shtetet e Bashkuara ... Së fundi, duhet të merret parasysh edhe fakti që tortura është e përhapur dhe rutinë në Jordani. Edhe më keq ishte kur të bashkëpandehurit e kërkuesit u burgosën dhe u morën në pyetje. Natyra sistematike e torturave nga GID (si atëherë, ashtu edhe tani) vetëm sa i vërteton edhe më tej pretendimet konkrete dhe të hollësishme të bëra nga Abu Hawsher dhe Abdul Nasser Al-Hamasher.
273. Sidoqoftë, edhe nëse pranohet që ende ekziston vetëm një rrezik real që provat kundër kërkuesit janë marrë përmes torturës, për arsyet në vijim, Gjykata konsideron që do të ishte e padrejtë që atij t’i caktohej një barrë më e lartë e provës.
274. Së pari, Gjykata nuk konsideron që testi i ekuilibrit të probabiliteteve, ashtu siç zbatohet nga shumica e Dhomës së Lordëve në çështjen A dhe të Tjerë (nr. 2), është i përshtatshëm në këtë kontekst. Ajo çështje kishte të bënte me procedurat para SIAC për të vendosur nëse dyshimet e Sekretarit të Shtetit që një individ ishte i përfshirë në terrorizëm ishin të sakta. Ato procedura ishin shumë të ndryshme nga procedurat penale ku, si në rastin konkret, një i pandehur mund të përballet me një dënim shumë të gjatë me burgim nëse gjendet fajtor. Sidoqoftë, shumica e Dhomës së Lordëve në çështjen A dhe të Tjerët (nr. 2) gjeti që testi i ekuilibrit të probabiliteteve ishte për t’u zbatuar nga vetë SIAC: një kërkues para SIAC duhej vetëm të jepte një arsye të mundshme që provat mund të ishin marrë përmes torturës. Prandaj, Gjykata nuk e konsideron A dhe të Tjerë (nr. 2) si autoritet për pohimin e përgjithshëm që, pas testit të ekuilibrit të probabiliteteve, provat që pretendohet të jenë marrë përmes torturës do të ishin të pranueshme në procedura ligjore në Mbretërinë e Bashkuar, aq më pak në procedura penale (shih seksionin 76(2) të Aktit të Policisë dhe Provave Penale të vitit 1984, dhe R. kundër Mushtaq ...).
275. Së dyti, Gjykata nuk konsideron që praktika gjyqësore kanadeze dhe ajo gjermane, çka është parashtruar nga Qeveria (shih paragrafët 133, 135, 139-40, dhe 153 lart), ofrojnë mbështetje për qëndrimet e tyre. Në çështjen India kundër Singh, palët ishin dakord që pretendimet duhet të vërtetoheshin mbi bazën e ekuilibrit të probabiliteteve; standardi i provës nuk ishte objekt diskutimi në atë rast. Mahjoub, një çështje e sigurisë kombëtare që përfshinte materiale të cilat nuk iu bënë të ditura kërkuesit, ndoqi qasjen e ndërmarrë nga Dhoma e Lordëve në çështjen A dhe të Tjerë (nr. 2), një qasje të cilën Gjykata e ka gjetur të ishte e papërshtatshme për çështjen në rastin konkret. Në çështjen re. El Motassadeq, Gjykata e Apelit në Hamburg arriti vetëm të shqyrtonte raportet e natyrës së përgjithshme që pretendonin që autoritetet amerikane kishin torturuar të dyshuarit terroristë dhe, sidoqoftë, nga provat në fjalë nxori “përfundime as inkriminuese, as shfajësuese” (shih El Motassadeq kundër Gjermanisë (dec.), nr. 28599/07, 4 maj 2010). Përveç kësaj, nuk duket se çështja e standardit të provës e cila u zbatua nga Gjykata e Apelit në Hamburg u apelua pranë Gjykatës Federale të Drejtësisë apo Gjykatës Kushtetuese dhe ajo nuk bënte pjesë në ankesat e Z. El Motassadeq drejtuar kësaj Gjykate. Së fundi, është e qartë nga arsyetimi i Gjykatës së Apelit në Dyseldorf që ajo nuk e ka zbatuar testin e ekuilibrit të probabiliteteve në rastin e pretendimeve të personit të kërkuar. Në fakt, mjaftoi fakti që ekzistonte një rrezik real (konkrete Gefahr) që Turqia nuk do ta respektonte nenin 15 të UNCAT; që kishte prova të arsyeshme (begründete Anhaltspunkte) që deklaratat e dhëna nga të bashkëpandehurit ishin marrë përmes torturës; dhe që kishte një rrezik, të mbështetur nga prova konkrete (durch konkrete Indizien belegte Gefahr), që deklaratat e marra nga të bashkakuzuarit mund të përdoreshin në procedura kundër personit të kërkuar në Turqi.
276. Së treti, dhe më së rëndësishmi, duhet t’i jepet konsiderata e duhur vështirësive për vërtetimin e pretendimeve për tortura. Tortura është e ligë në mënyrë unike për barbarinë e saj ashtu dhe për efektin e saj korruptues për procesin gjyqësor. Ajo praktikohet fshehtas, shpesh nga hetues me përvojë të cilët janë shumë të shkathët për t’u siguruar që ajo të mos lërë shenja të dukshme tek viktima. Shpesh, ata që ngarkohen me detyrën që të sigurohen që tortura të mos ndodhë – gjykatat, prokurorët dhe personeli mjekësor – janë të përfshirë në fshehjen e saj. Në një sistem të drejtësisë penale ku gjykatat janë të pavarura nga ekzekutivi, ku çështjet ndiqen penalisht në mënyrë të paanshme dhe ku pretendimet për tortura hetohen në mënyrë të ndërgjegjshme, mund të konceptohet që t’i kërkohet të pandehurit që të vërtetojë sipas një standardi të lartë që provat kundër tij janë marrë me anë të torturës. Megjithatë, në një sistem të drejtësisë penale i cili është i përfshirë në vetë praktikat për parandalimin e të cilave ai vetë ekziston, një standard i tillë i provave është krejtësisht i papërshtatshëm.
277. Sistemi i Gjykatës së Sigurimit të Shtetit në Jordani është shembull konkret. Jo vetëm që tortura është e përhapur në Jordani, por po kaq i përhapur është edhe përdorimi i provave të torturës nga gjykatat e saj. Në përfundimet e tij mbi neni 15 të UNCAT, Komiteti Kundër Torturës ka shprehur shqetësimin e tij rreth raporteve që përdorimi i rrëfimeve të detyruara në gjykata ishte i përhapur (shih paragrafin 107 lart). Raportuesi i Posaçëm ka përshkruar një sistem ku “prezumimi i pafajësisë është iluzion” dhe “përparësi i jepet marrjes së rrëfimeve” (shih paragrafin 110 lart). Raportet e Amnesty International dhe Human Rights Watch e mbështesin këtë mendim. Amnesty International e ka konsideruar Gjykatën e Sigurimit të Shtetit si “tepër të plogët” përballë pretendimeve për tortura, pavarësisht nga fakti që, gjatë dhjetë viteve para vitit 2005, njëqind të pandehur kanë pretenduar para Gjykatës së Sigurimit të Shtetit që janë detyruar të jepnin rrëfime përmes torturave dhe pretendime të ngjashme janë bërë në katërmbëdhjetë raste të tilla vetëm në vitin 2005 (shih paragrafin 113 lart). Raporti i Human Rights Watch i vitit 2006 përshkruan një sistem ku të burgosurit dërgohen sa andej-këndej mes zyrtarëve të GID dhe Prokurorit Publik deri sa merren rrëfimet në një formë të pranueshme (shih paragrafin 116 lart). Në fund, Qendra Kombëtare për të Drejtat e Njeriut, në raporte të njëpasnjëshme, ka shprehur shqetësimet e veta lidhur me mënyrën se si deklaratat e marra përmes shtrëngimit bëhen prova në gjykatat jordaneze (shih paragrafët 121-22 lart).
278. Gjykata njeh faktin që ligji jordanez lejon një sërë garancish për të pandehurit në çështjet e Gjykatës së Sigurimit të Shtetit. Përdorimi i provave të marra përmes torturës është i ndaluar. Prokuroria e ka barrën që të vërtetojë që rrëfimet e bëra para GID nuk janë marrë përmes përdorimit të torturës dhe vetëm në rastin e rrëfimeve të bëra para Prokurorit Publik i pandehuri mbart barrën e provës për tortura. Megjithatë, duke pasur parasysh provat e përmbledhura në paragrafin pararendës, Gjykata nuk është e bindur që këto garanci ligjore kanë ndonjë vlerë të vërtetë praktike. Për shembull, nëse një i pandehur nuk arrin të vërtetojë që prokuroria ka qenë e përfshirë në marrjen e një rrëfimi të pavullnetshëm, ai rrëfim është i pranueshëm sipas ligjit jordanez pavarësisht nga veprime të mëparshme të keqtrajtimit apo sjelljeve të tjera të papërshtatshme nga GID. Ky është një dallim shqetësues për ligjin jordanez, duke marrë parasysh afërsinë e Prokurorit Publik me GID. Më tej, ndërkohë që Gjykata e Sigurimit të Shtetit mund të ketë pushtetin për të përjashtuar provat e marra përmes torturës, ajo ka treguar gatishmëri shumë të pakët për ta shfrytëzuar atë pushtet. Përkundrazi, përpikëria e hetimeve nga Gjykata e Sigurimit të Shtetit drejt pretendimeve për tortura është tepër e diskutueshme. Mungesa e pavarësisë e Gjykatës së Sigurimit të Shtetit ka rëndësi të konsiderueshme në këtë aspekt. Siç ka vërejtur SIAC (në paragrafin 447 të vendimit të tij, shih paragrafin 46 lart) e kaluara e gjyqtarëve të Gjykatës së Sigurimit të Shtetit
“mund t’i bëjë ata skeptikë lidhur me pretendimet për abuzime nga GID që ndikojnë në deklaratat e dhëna tek Prokurori. Ata instinktivisht mund të mendojnë që pretendimet për keqtrajtime janë pjesë rutinë e argumenteve të mbrojtjes për të shmangur inkriminimin e të tjerëve. Korniza ligjore ka mekanizma tepër të varfra për të zbuluar dhe për të vepruar mbi pretendimet për abuzime. Mënyra në të cilën ajo i qaset pranimit të provave, sipas materialit që kemi, nuk tregon këqyrje të kujdesshme mbi provat potencialisht të njollosura.”
279. Kështu, ndërkohë që, në çdo rigjykim të kërkuesit, pa dyshim ai ka të drejtë të kontestojë pranueshmërinë e deklaratave të Abu Hawsher dhe Abdul Nasser Al-Hamasher dhe të paraqesë prova për ta mbështetur këtë, vështirësitë me të cilat përballet ai duke u përpjekur ta bëjë këtë kaq shumë vite pas ngjarjes dhe para të njëjtës gjykatë e cila tashmë e ka refuzuar një pretendim të tillë (dhe vazhdon t’i refuzojë të gjitha pretendimet e tilla) janë vërtet shumë të thella.
280. Prandaj, Gjykata konsideron që, duke pasur parasysh mungesën e provave të qarta të ekzaminimin të duhur dhe efektiv të pretendimeve të Abu Hawsher dhe Abdul Nasser Al-Hamasher nga Gjykata e Sigurimit të Shtetit, kërkuesi e ka hequr barrën që me të drejtë do të mund t’i vihej për të vërtetuar që provat kundër tij janë marrë përmes torturës.
(ii) A do të kishte mohim flagrant të drejtësisë në këtë rast?
281. SIAC gjeti që kishte probabilitet të lartë që provat e Abu Hawsher dhe Abdul Nasser Al-Hamasher që inkriminojnë kërkuesin do të pranoheshin në rigjykim dhe që këto prova do të kishin rëndësi të konsiderueshme, mbase vendimtare, kundër tij (shih paragrafin 45 lart). Gjykata është dakord me këto përfundime.
282. Gjykata ka gjetur që një mohim flagrant i drejtësisë ndodh kur provat e marra përmes torturës pranohen në procedurat penale. Kërkuesi ka treguar që ekziston një rrezik real që Abu Hawsher dhe Abdul Nasser Al-Hamsher janë torturuar për të dhënë prova kundër tij dhe Gjykata ka gjetur kundër tij nuk mund të caktohet një barrë më e madhe e provave. Duke marrë parasysh këto përfundime, Gjykata, në pajtim me Gjykatën e Apelit, gjen që ka rrezik real që rigjykimi i kërkuesit të përbëjë mohim flagrant të drejtësisë.
283. Gjykata do të shtonte që ajo është e vetëdijshme që Dhoma e Madhe nuk ka gjetur që testi ishte përmbushur në çështjen Mamatkulov dhe Askarov, një faktor i cili ka pasur njëfarë rëndësie në përfundimin e Dhomës së Lordëve që nuk do të kishte shkelje flagrante në çështjen në fjalë.
284. Megjithatë, siç ka parashtruar kërkuesi, fokusi i vendimit të Dhomës së Madhe në çështjen Mamatkulov dhe Askarov ka qenë tek efekti detyrues i Rregullës 39 më shumë sesa tek çështjet substanciale të ngritura në atë çështje nga neni 6. Së dyti, ankesa e bërë nga kërkuesit në atë rast të shkeljes së nenit 6 ka qenë e një natyre të përgjithshme dhe të padetajuar, ku kërkuesit pretendonin që në kohën e ekstradimit të tyre ata nuk kanë pasur gjasa të kishin një gjyq të drejtë në Uzbekistan. Së treti, Gjykata gjeti që, megjithëse sipas informacionit në dispozicion në kohën e ekstradimit të kërkuesve, mund të ketë pasur arsye për të dyshuar që ata do të kishin një gjyq të drejtë në Uzbekistan, nuk kishte prova të mjaftueshme për të treguar se parregullsitë në gjyq me gjasë mund të përbënin mohim flagrant të drejtësisë; fakti që Gjykata ishte ndaluar nga dështimi i Turqisë për të vepruar në pajtim me Rregullën 39 nga marrja e informacionit shtesë për ta ndihmuar atë në vlerësimin e ekzistencës apo jo të një rreziku të tillë shihej nga Gjykata si çështje që duhej shqyrtuar në kuadër të ankesës nga neni 34 i Konventës.
285. Në rastin konkret, situata është ndryshe. Palët kanë paraqitur prova të shumta në lidhje me rigjykimin e kërkuesit në Jordani dhe ato prova janë shqyrtuar nga gjykatat vendase. Më tej, gjatë procedurave para kësaj Gjykate, kërkuesi ka paraqitur prova të mëtejshme konkrete dhe bindëse që të bashkëpandehurit e tij janë torturuar për të dhënë argumente kundër tij. Po ashtu, ai ka treguar që Gjykata e Sigurimit të Shtetit në Jordani e ka vërtetuar se është e paaftë për të hetuar si duhet pretendimet për tortura dhe për të përjashtuar provat e marra nga tortura, siç i kërkohet të veprojë nga neni 15 i UNCAT. Ankesa e tij nuk është e përgjithshme dhe e paspecifikuar siç ishte rasti në çështjen Mamatkulov dhe Askarov; përkundrazi, ishte një sulm i përqendruar dhe i mirëbazuar kundër sistemit të Gjykatës së Sigurimit të Shtetit që do ta gjykojë atë lidhur me shkeljen e njërës prej normave më themelore të drejtësisë ndërkombëtare penale, ndalimin e përdorimit të provave të marra përmes torturës. Në ato rrethana, dhe ndryshe nga kërkuesit në çështjen Mamatkulov dhe Askarov, kërkuesi i tanishëm e ka përmbushur barrën e provës që kërkohet për të demonstruar rrezikun real të mohimit flagrant të drejtësisë nëse ai dëbohet në Jordani.
...
(c) Përfundim i përgjithshëm mbi nenin 6
287. Gjykata gjen që dëbimi i kërkuesit për në Jordani do të ishte në shkelje të nenit 6 të Konventës.
...
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA NJËZËRI
1. E deklaron kërkesën të pranueshme;
2. Vendos që dëbimi i kërkuesit në Jordani nuk do të ishte në shkelje të nenit 3 të Konventës;
...
4. Vendos që dëbimi i kërkuesit në Jordani nuk do të ishte në shkelje të nenit 5 të Konventës;
5. Vendos që dëbimi i kërkuesit në Jordani do të ishte në shkelje të nenit 6 të Konventës për shkak të rrezikut real të pranimit në rigjykimin e kërkuesit të provave të marra përmes torturimit të personave të tretë.
E bërë në gjuhën angleze, dhe e shpallur me shkrim më 17 janar 2012, në përputhje me nenin 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Lawrence EarlyLech Garlicki Kancelar Kryetar
© Këshilli i Europës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Europës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, ta base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy