© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
Notë Informative mbi praktikën gjyqësore nr. 148 të Gjykatës
janar 2012
Othman (Abu Qatada) kundër Mbretërisë së Bashkuar - 8139/09
Vendimi 17.1.2012 [Seksioni IV]
Neni 6
Procedurat penale
Dëbimi
Neni 6-1
Seanca e drejtë
Rreziku real i pranimit në rigjykimin e kërkuesit të provave të marra përmes torturës së palëve të treta: dëbimi do të përbënte shkelje
Neni 3
Dëbimi
Garancitë e hollësishme nga Shteti pranues që islamisti i profilit të lartë nuk do të keqtrajtohej nëse do të kthehej në Jordani: dëbimi nuk do të përbënte shkelje
Faktet – Kërkuesi, shtetas jordanez, arriti në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1993 dhe iu miratua azili. Ai u fut në burg nga viti 2002 deri në vitin 2005 në bazë të Ligjit për Anti-Terrorizëm, Krim dhe Siguri të vitit 2001. Pas lirimit të tij, Sekretari i Shtetit i dërgoi kërkuesit një shkresë me një shënim lidhur me qëllimin për dëbim. Ndërkohë, në vitin 1999 dhe vitin 2000 kërkuesi u dënua in absentia në Jordani për vepra të komplotimit për vendosjen e bombave dhe eksplozivëve. Provat kyçe kundër kërkuesit në secilin prej gjyqeve që çuan drejt atyre dënimeve ishin deklaratat inkriminuese të dy të bashkëpandehurve, të cilët më pas u ankuan që ishin torturuar. Në vitin 2005 Qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Jordanisë nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi (MiM) i cili përcaktonte disa garanci pajtueshmërie me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut të cilat duheshin respektuar kur një individ i kthehej një Shteti nga një Shtet tjetër. Gjithashtu, ai parashikonte që çdo person i kthyer do të pranonte vizita të menjëhershme dhe të rregullta nga një përfaqësues i një organi të pavarur të emëruar bashkërisht nga dy Qeveritë. Qendra Adaleh për Studime të të Drejtave të Njeriut më vonë nënshkroi një marrëveshje monitorimi me Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për këtë qëllim. Në çështjen e kërkuesit Qeverisë jordaneze iu shtruan pyetje, dhe ajo u përgjigj, në lidhje me një rigjykim të mundshëm. Kërkuesi apeloi kundër vendimit për dëbimin e tij por pretendimet e tij, pas shqyrtimit të thellë nga gjykatat vendase, përfundimisht u rrëzuan.
E drejta – Neni 3: Raportet e Kombeve të Bashkuara dhe OJQ të ndryshme treguan që tortura mbetej praktikë “e përhapur dhe rutinë” në Jordani dhe palët pranuan që pa garancitë e Qeverisë jordaneze do të ekzistonte një rrezik real i keqtrajtimit të kërkuesit, islamist i profilit të lartë. Në lidhje me këtë, Gjykata vërejti që vetëm në raste të rralla situata në një vend të caktuar nënkuptonte që garancive të dhëna nga ai vend nuk mund t’u jepej fare peshë. Në kushte normale, Gjykata do të vlerësonte, së pari, cilësinë e garancive të dhëna (nëse ato i ishin bërë të ditura Gjykatës, nëse ato ishin specifike, nëse ato ishin detyruese për Shtetin pranues si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal, dhe nëse besueshmëria e tyre ishte shqyrtuar nga gjykatat vendase të Shtetit dërgues/Kontraktues), dhe, së dyti, duke pasur parasysh praktikat e Shtetit pranues, nëse atyre mund t’u besohej (nëse Shteti pranues ishte Shtet Kontraktues, nëse ai ofronte mbrojtje efektive kundër torturës dhe kishte nxjerrë jashtë ligjit sjelljet me të cilat kishin të bënin garancitë, nëse ai kishte marrëdhënie të mira dypalëshe me Shtetin dërgues dhe u ishte përmbajtur garancive të tilla në të kaluarën, nëse kërkuesi ishte keqtrajtuar më parë atje dhe nëse në Shtetin pranues ishin bërë organizimet e duhura për të lejuar monitorimin efektiv dhe qasjen e papenguar të kërkuesit/es tek avokatët e tij/saj).
Në çështjen e kërkuesit, Qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Jordanisë kishin bërë përpjekje të sinqerta për të marrë dhe ofruar garanci transparente dhe të hollësishme për të siguruar që ai nuk do të keqtrajtohej pas kthimit të tij në Jordani. MiM i arritur si rezultat i atyre përpjekjeve ishte superior në detajet dhe formalitetin e tij ndaj çdo garancie që ishte shqyrtuar më parë nga Gjykata. Për më tepër, garancitë ishin dhënë në mirëbesim dhe ishin miratuar nga instancat më të larta të Qeverisë jordaneze, marrëdhëniet bilaterale të së cilës me Mbretërinë e Bashkuar kishin qenë historikisht shumë të forta. MiM shprehej qartë që kërkuesi do të dëbohej për në Jordani, ku ai do të burgosej dhe do të rigjykohej për veprat për të cilat ai ishte dënuar in absentia. Profili i lartë i kërkuesit kishte gjasa që t’i bënte autoritetet jordaneze të tregonin kujdes për të garantuar trajtimin e duhur, meqenëse çdo keqtrajtim do të kishte jo vetëm pasoja serioze mbi marrëdhënien bilaterale të atij vendi me Mbretërinë e Bashkuar, por gjithashtu do të shkaktonte zemërim të madh ndërkombëtar. Së fundi, në përputhje me MiM, kërkuesi do të vizitohej rregullisht nga Qendra Adaleh, e cila do të kishte mundësinë të verifikonte që garancitë po respektoheshin. Rrjedhimisht, kthimi i kërkuesit në Jordani nuk do ta ekspozonte atë ndaj rrezikut real të keqtrajtimit.
Përfundim: dëbimi nuk do të përbënte shkelje (njëzëri).
Neni 5: Gjykata konfirmoi që neni 5 ishte i zbatueshëm në çështjet e dëbimit dhe që një Shtet Kontraktues do të kryente shkelje të asaj dispozite nëse do ta zhvendoste një kërkues drejt një Shteti ku ai ose ajo do të përballej me rrezikun real të shkeljes flagrante të të drejtave të mbrojtura nga ai nen. Megjithatë, në raste të tilla zbatohej një kufi shumë i lartë. Sipas së drejtës jordaneze, kërkuesi do të duhej të sillej para gjyqit brenda pesëdhjetë ditësh pas burgosjes së tij, çka sipas mendimit të Gjykatës nuk e përmbushte pothuaj fare kohëzgjatjen e kërkuar të burgimit për shkelje flagrante të nenit 5.
Përfundim: dëbimi nuk do të përbënte shkelje (njëzëri).
Neni 6: Kërkuesi u ankua që, nëse kthehej në Jordani, rigjykimi i tij do të shpinte në mohim flagrant të drejtësisë për shkak të, inter alia, pranimit të provave të marra përmes torturës. Gjykata vërejti që një mohim flagrant i drejtësisë shkonte përtej parregullsive të thjeshta apo mungesës së mekanizmave mbrojtëse në procedura gjyqësore të atilla që mund të rezultonin në shkelje të nenit 6 nëse ndodhnin brenda vetë Shtetit Kontraktues. Ajo që kërkohej ishte një shkelje e parimeve të gjyqit të drejtë e cila të ishte aq e thellë sa të shpinte drejt anulimit apo shkatërrimit të vetë thelbit të së drejtës së garantuar me atë nen. Në këtë pikë, ajo vërejti që pranimi i provave të marra përmes torturës do të ishte dukshëm në kundërshtim jo vetëm me nenin 6 të Konventës, por edhe me standardet themelore të së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut për gjyq të drejtë. Kjo do ta bënte një gjyq imoral e të paligjshëm dhe rezultatin e tij tërësisht të pabesueshëm. Kështu, pranimi i provave të marra përmes torturës në një gjykim penal do të shpinte në mohim flagrant të drejtësisë. Deklaratat inkriminuese në çështjen e kërkuesit ishin dhënë nga dy dëshmitarë të ndryshëm, ku të dy ishin rrahur në shputat e këmbëve, një metodë që quhet falaka, qëllimi i së cilës mund të kishte qenë vetëm marrja e informacionit. Gjykata e kishte shqyrtuar më parë këtë formë të keqtrajtimit dhe nuk hezitonte ta karakterizonte atë si torturë. Më tej, përdorimi i provave të marra përmes torturës në Jordani ishte i përhapur dhe garancitë ligjore që përmbante ligji jordanez dukej se kishin pak vlerë praktike. Ndërkohë që kërkuesi do të kishte mundësinë të kontestonte pranueshmërinë e deklaratave kundër tij të cilat ishin marrë përmes torturës, ai do të përballej me vështirësi të mëdha gjatë këtyre përpjekjeve aq shumë vjet pas ngjarjeve dhe para të njëjtës gjykatë e cila refuzonte pretendime të tilla në mënyrë rutinore. Duke ofruar prova konkrete dhe bindëse që të bashkëpandehurit e tij ishin torturuar për të dhënë dëshmi kundër tij, dhe që këto prova kishte shumë gjasa të përdoreshin në rigjykimin e tij, kërkuesi e kishte përmbushur kriterin e barrës së provës që kërkohet për të demonstruar rrezikun real të mohimit flagrant të drejtësisë nëse ai dëbohej për në Jordani.
Përfundim: dëbimi do të përbënte shkelje (njëzëri).
Neni 41: Nuk është bërë kërkesë për dëmshpërblim.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut
Kjo përmbledhje nuk është detyruese për Gjykatën.
Klikoni këtu për Notat Informative mbi praktikën gjyqësore
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, ta base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy