© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
SEKSIONI I DYTË
ÇËSHTJA ÖZGÜRLÜK VE DAYANIŞMA PARTİSİ (ÖDP) k. TURQISË
(Kërkesëpadi nr. 7819/03)
VENDIM
STRASBURG
10 maj 2012
Ky vendim është bërë i formës së prerë. Atij mund t’i bëhen rishikime në redaktim.
Në çështjen Özgürlük ve Dayanışma Partisi (ÖDP) k. Turqisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Dytë), e mbledhur në një dhomë të përbërë nga:
Françoise Tulkens, kryetare,
Danutė Jočienė,
Dragoljub Popović,
András Sajó,
Işıl Karakaş,
Guido Raimondi,
Paulo Pinto de Albuquerque, gjyqtarë,
e nga Stanley Naismith, sekretar seksioni,
Pasi e shqyrtoi çështjen në seancë të mbyllur më 4 tetor 2011 dhe 10 prill 2012,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë të fundit:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të kësaj çështjeje ndodhet një kërkesëpadi (nr. 7819/03) e drejtuar kundër Republikës së Turqisë dhe me anë të së cilës një parti politike turke, Özgürlük ve Dayanışma Partisi (“ÖDP”, Partia e Lirisë dhe e Solidaritetit) (“paditësi”), i është drejtuar Gjykatës më 1 tetor 2002 sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”).
2. Para Gjykatës, paditësi është përfaqësuar nga Z. M. Bektaş, avokat në Ankara. Qeveria turke (“Qeveria”) është përfaqësuar prej agjentit të saj.
3. Në kërkesëpadinë e saj, partia politike paditëse, e cila kishte fituar të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhjet legjislative, ankohej se ishte bërë objekt i një diskriminimi për arsye të hedhjes poshtë së kërkesës së saj për dhënie të ndihmës financiare për partitë politike, të parashikuar nga Kushtetuta.
4. Më 30 korrik 2007, Gjykata ka vendosur të njoftojë Qeverinë për kërkesëpadinë. Ajo vendosi gjithashtu që të shprehej në të njëjtën kohë lidhur me pranueshmërinë dhe me themelësinë e çështjes.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
5. Paditësi, ÖDP-ja, është një parti politike turke, selia e të cilës ndodhet në Ankara.
6. Me një dekret të 28 nëntorit 1998, Këshilli Zgjedhor Epror shpalli listën e tetëmbëdhjetë partive politike të lejuara për të marrë pjesë në zgjedhjet legjislative dhe bashkiake të 18 prillit 1999, listë ku ishte e pranishme ÖDP-ja. Që të mund të merrnin pjesë në zgjedhjet në fjalë, partitë politike duhej të ishin të ngulitura, të paktën gjashtë muaj përpara datës së votimit, në të paktën gjysmën e departamenteve dhe ta kishin organizuar tashmë kongresin e tyre të madh.
7. Më 23 shtator 1998, ÖDP-ja kërkoi pranë Ministrisë së Financave përfitimin e ndihmës financiare që u jepej partive politike nga neni 68 i Kushtetutës.
8. Me një vendim të 23 nëntorit 1998, Ministria e Financave e rrëzoi këtë kërkesë me arsyetimin se financim publik mund të përfitonin vetëm ato parti politike që i plotësonin kushtet e vendosura nga Ligji nr. 2820 për partitë politike.
9. Më 29 dhjetor 1998, ÖDP-ja paraqiti para Gjykatës Administrative të Ankarasë një kërkesë për shfuqizim të vendimit të 23 nëntorit 1998. Ajo solli në vëmendje fillimisht se vetë Kushtetuta parashikonte se “shteti u jep partive politike një ndihmë financiare të mjaftueshme dhe të drejtë” dhe se “ligji përcakton parimet e zbatueshme për ndihmën financiare që u jepet partive si edhe për kuotizacionet e anëtarëve të tyre dhe për dhurimet që ato marrin”. Ajo vuri në dukje në veçanti se kriteret e vendosura nga ligji për partitë politike i përjashtonin nga përfitimi i subvencioneve shtetërore ato që nuk ishin të përfaqësuara në Parlament. Duke vënë në dukje se ishte e vështirë të zhvilloheshin veprimtari dhe fushata politike pa i pasur burimet e nevojshme ekonomike, ajo mbrojti mendimin se përjashtimi që bënte ligji ishte i papajtueshëm me Kushtetutën dhe në kundërshtim me parimet e një shteti demokratik, me detyrën e shtetit për t’i shpënë më tej të drejtat dhe liritë demokratike dhe me parimin e mosdiskriminimit. Ajo shtoi se dispozitat në fjalë shkelnin gjithashtu edhe ligjet ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
10. Me një vendim të datës 29 shtator 1999, Gjykata Administrative e Ankarasë e rrëzoi ankesën e ÖDP-së me arsyetimin se kjo e fundit nuk i plotësonte kushtet e parashikuara nga Ligji nr. 2820 për partitë politike. Gjykata nuk u shpreh rreth prapësimit për papajtueshmëri me Kushtetutën që kishte ngritur ÖDP-ja.
11. ÖDP-ja bëri rekurs kundër vendimit të 20 shtatorit 1999, me të njëjtat argumente që kishte paraqitur në shkallën e parë.
12. Me një vendim të nxjerrë më 25 prill 2002 dhe të njoftuar palës paditëse më 10 korrik 2002, Këshilli i Shtetit e la në fuqi vendimin e apeluar, të cilin e gjykoi si në përputhje me ligjin dhe me procedurën.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA LIDHUR ME ÇËSHTJEN
A. Konteksti kombëtar
1. Kushtetuta
13. Paragrafi i fundit i nenit 68 të Kushtetutës sanksionon se “shteti u jep partive politike një ndihmë financiare të mjaftueshme dhe të drejtë” dhe se “ligji përcakton parimet e zbatueshme për ndihmën financiare që u jepet partive si edhe për kuotizacionet e anëtarëve të tyre dhe për dhurimet që ato marrin”.
2. Ligji për partitë politike
14. Sipas nenit 33 të Ligjit nr. 2839 për partitë politike, shteti u jep partive politike të përfaqësuara në Parlament, në funksion të numrit të vendeve që ato kanë aty, një ndihmë financiare (shuma e së cilës arrin në 2/5000 të buxhetit të tij). Të drejtë për këtë ndihmë kanë edhe partitë politike jo të përfaqësuara në Parlament, mjafton që ato të kenë fituar të paktën 7% të votave të shprehura gjatë zgjedhjeve të mëparshme, si edhe partitë e përfaqësuara në Parlament me të paktën tre deputetë, edhe në qoftë se ato nuk kanë marrë pjesë në zgjedhjet e mëparshme.
15. Ndihma financiare që u jepet partive politike trefishohet vitin e zgjedhjeve legjislative dhe dyfishohet vitin e zgjedhjeve bashkiake.
3. Jurisprudenca kushtetuese
16. Me një vendim të datës 20 nëntor 2008, Gjykata Kushtetuese turke, me shumicë votash, e rrëzoi një kërkesë prapësimi për papajtueshmëri me Kushtetutën, të paraqitur përpara saj nga Gjykata Administrative e Ankarasë, sipas së cilës pragu prej 7% i caktuar nga ligji për partitë politike për dhënien e ndihmës shtetërore ishte diskriminues, pra i papajtueshëm me Kushtetutën. Për t’u shprehur kështu, ajo pati parasysh se partitë politike kishin konkretisht si qëllim që të fitonin përkrahjen e zgjedhësve për të marrë pjesë në qeverisje dhe për të dhënë kështu ndihmesë në shprehjen e mendimit të popullit. Ajo nxori andej si përfundim se partitë që nuk fitonin një përkrahje të mjaftueshme të zgjedhësve nuk jepnin ndihmesë në shprehjen e mendimit të popullit në masë të njëjtë me partitë politike që gëzonin një përkrahje më të gjerë popullore. Ajo e hodhi poshtë tezën sipas së cilës kriteri i shkallës së ndihmesës së partive në jetën politike demokratike, i cili përdorej për caktimin e ndihmës publike, nuk ishte objektiv, i drejtë dhe i përpjesëtuar.
17. Nga ana e tyre, gjyqtarët e pakicës së Gjykatës Kushtetuese vlerësuan sidomos se pragu prej 7% ishte tepër i lartë (ai përkonte me afërsisht tre milionë vota gjatë referendumit të vitit 2007), se ai i favorizonte padrejtësisht partitë politike që e kapërcenin atë, se kriteri i “ndihmesës në shprehjen e mendimit të popullit” ishte subjektiv dhe se ai e shkelte parimin e shtetit të së drejtës.
4. Financimi i drejtpërdrejtë i partive politike dhe një historik i shkurtër i zgjedhjeve legjislative të vëna në pikëpyetje në çështjen në fjalë
18. ÖDP-ja fitoi 0,8% të votave të shprehura të vlefshme në zgjedhjet legjislative të 18 prillit 1999, 0,34% të atyre të 3 nëntorit 2002 dhe 0,15% të atyre të vitit 2007.
19. Partitë që kishin përfituar prej ndihmës përpara zgjedhjeve në fjalë kishin fituar vende në Kuvendin Kombëtar në përfundim të zgjedhjeve legjislative të mëparshme ose mbi 7% të votave të shprehura të vlefshme gjatë tyre.
Para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 1999, gjashtë parti politike (prej të cilave vetëm njëra nuk ishte e përfaqësuar në Parlament) nga njëzet e një kandidate në ato zgjedhje e kishin marrë ndihmën financiare të shtetit. Për periudhën përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2002, gjashtë parti (prej të cilave vetëm njëra nuk ishte e përfaqësuar në Parlament) nga pesëmbëdhjetë që ishin kandidate e morën ndihmën e shtetit, kurse për periudhën përpara atyre të vitit 2007, kjo ndihmë iu dha pesë prej pesëmbëdhjetë partive kandidate (tre nga përfitueset nuk ishin të përfaqësuara në Parlament). ÖDP-a nuk ka përfituar asnjëherë prej saj.
B. Tekste ndërkombëtare
20. Pasazhet lidhur me këtë çështje te “Vijat udhëheqëse rreth caktimit e rregullave për partitë politike”, të vendosura nga OSBE/ODIHR-i dhe nga Komisioni i Venecies dhe të miratuara nga ky i fundit gjatë sesionit të tij të 84t plenar (Venecie, më 15-16 tetor 2010, CDL-AD(2010)024) shprehen si më poshtë vijon:
“3. Financimi publik
a) Rëndësia e financimit publik
176. Në tërë botën, financimi publik dhe rregullat lidhur me të (duke përfshirë edhe ato për kufizimin e shumës së shpenzimeve, shpalljen dhe zbatimin e paanshëm) janë konceptuar dhe miratuar si një mjet potencial për të penguar korrupsionin, për të sanksionuar rolin e rëndësishëm që luajnë partitë politike dhe për t’i dhënë fund varësisë së tepruar nga donatorët privatë. Këto sisteme financimi synojnë të japin siguri që të gjitha partitë janë në gjendje të maten mes tyre në suazën e zgjedhjeve sipas parimit të barazisë së shanseve dhe, për pasojë, të forcojnë pluralizmin politik dhe të japin ndihmesë për funksionimin e mirë të institucioneve demokratike. Në përgjithësi, ligjvënësi duhet të përpiqet të arrijë një baraspeshë të drejtë midis kontributeve publike dhe private si burime financimi të partive politike. Dhënia e fondeve publike nuk duhet kurrsesi ta kufizojë ose ta cenojë pavarësinë e një partie politike.
177. Shuma e fondeve publike që u caktohen partive duhet të jetë e llogaritur me kujdes, në mënyrë që të përbëjë një kontribut të dobishëm, por pa e zhdukur nevojën për kontribute private e pa e shuar ndikimin e donacioneve individuale. Ndonëse veçoritë e zgjedhjeve dhe të fushatave zgjedhore në shtetet e ndryshme nuk lejojnë që të identifikohet ndonjë shumë e zbatueshme në mënyrë të përbotshme, legjislacioni duhet të vendosë mekanizma mbikëqyrjeje të konceptuar për të përcaktuar periodikisht ndikimin e sistemeve të financimit publik dhe nevojën eventuale për ta ndryshuar nivelin e shumave të caktuara. Në përgjithësi, subvencionet duhet të jenë të mjaftueshme për dhënien e një mbështetjeje reale, por pa u kthyer në burimin e vetëm të të ardhurave dhe pa krijuar kushtet për një varësi të tepruar nga shteti.
(...)
b) Mbështetja financiare
178. Legjislacioni duhet ta lejojë qartazi shtetin që t’i mbështesë financiarisht partitë politike. Caktimi i fondeve publike për partitë konsiderohet shpesh si i lidhur ngushtë me respektimin e parimit të barazisë së shanseve për të gjithë kandidatët, sidomos në rastin kur mekanizmi i financimit shtetëror përfshin dispozita të veçanta për gratë e për përfaqësuesit e pakicave. Kur partive u jepet një ndihmë financiare, legjislacioni lidhur me të duhet të shprehë vija udhëheqëse të qarta që mundësojnë caktimin e shumës së këtyre subvencioneve, të cilat duhet t’u jepen përfituesve sipas disa modalitetesh objektive e në mënyrë të paanshme. (...)
c) Trajta të tjera mbështetjeje publike
179. Përveç një financimi të drejtpërdrejtë, shteti mund t’u propozojë partive një mbështetje në trajta të tjera, duke përfshirë përjashtime nga tatimet mbi veprimtaritë, dhënien e një kohe transmetimi falas ose përdorimin pa pagesë të sallave për mbledhje publike në kuadër të një fushate zgjedhore. Në të gjitha rastet, ndihma financiare dhe në natyrë duhet të jepet në përputhje me parimet e barazisë së shanseve për të gjitha partitë e për të gjithë kandidatët (duke përfshirë gratë dhe përfaqësuesit e pakicave). Ndonëse kjo ndihmë nuk mund të marrë përherë një karakter absolutisht “të barabartë”, është e udhës të ngrihet një sistem i cili mundëson të verifikohet që shpërndarja e përpjesëtuar (ose e drejtë) e ndihmës shtetërore (qoftë financiare, qoftë në natyrë) u përgjigjet kritereve të objektivitetit, të barazisë e të gjykimit të shëndoshë.
(...)
4. Caktimi i fondeve
183. Modalitetet e ndihmës publike për partitë politike duhet të përcaktohen në legjislacionin e posaçëm. Disa sisteme e parashikojnë caktimin e fondeve para zgjedhjeve mbi bazën e rezultateve të zgjedhjeve të mëparshme ose mbi atë të paraqitjes së provave për një minimum të caktuar mbështetjeje. Disa sisteme të tjera parashikojnë që pagesa të kryhet vetëm pas zgjedhjeve, mbi bazën e rezultateve përfundimtare. Përgjithësisht, dhënia tërësore ose e pjesshme e fondeve përpara zgjedhjeve e mundëson më shumë garantimin e aftësisë së partive për të rivalizuar në mënyrë të barabartë.
(...)
185. Caktimi i fondeve mund të jetë ose rreptësisht i barabartë (“barazi absolute”), ose në përpjesëtim me rezultatet e fituara nga partitë në fjalë gjatë zgjedhjeve të fundit apo me nivelin e provuar të përkrahjes që ato gëzojnë (“caktim i drejtë”). Nuk ka asnjë sistem rregullator që mund të zbatohet në mënyrë të përbotshme në këtë fushë. Disa pretendojnë se ligjet që parashikojnë një financim publik ia dalin përgjithësisht më mirë të vendosin një pluralizëm politik e një barazi shansesh kur parashikojnë një sistem financimesh i cili mbështetet njëherazi edhe te parimi i barazisë absolute, edhe tek ai i drejtësisë. Kur kërkohet një minimum përkrahjeje për të marrë financim, është e udhës të kihet kujdes që të mos caktohet një prag tepër i lartë, i cili rrezikon të cenojë pluralizmin politik dhe partitë e vogla. Përveç kësaj, është në interesin e pluralizmit politik që për financimin politik të mbahet një prag më i ulët sesa ai që kërkohet për dhënien e një mandati në parlament.
(...)
187. Legjislacioni duhet të kujdeset që formula për caktimin e fondeve të mos i japë monopol ose një shumë të shpërpjesëtuar njërës nga partitë. Formula e caktimit të fondeve nuk duhet të lejojë gjithashtu që dy partitë më të mëdha politike ta monopolizojnë marrjen e fondeve publike.
5. Domosdoshmëria për financim publik
188. Është e udhës së paku që të gjitha partive të përfaqësuara në Parlament t’u jepet njëfarë niveli financimi publik. Megjithatë, me qëllim që të nxitet pluralizmi politik, më e mira është që t’u jepen gjithashtu fonde të gjitha partive që mund të pohojnë se gëzojnë një minimum përkrahjeje pranë qytetarëve dhe që paraqesin kandidatë në zgjedhje. Kjo praktikë ka një rëndësi të veçantë për partitë e reja, të cilave duhet t’u jepet një shans i drejtë për të rivalizuar me partitë ekzistuese.
(...)
190. Duke u dhënë burime shtesë partive politike, financimi publik mund ta forcojë pluralizmin politik. Është pra e arsyeshme që ligji t’u kërkojë partive përfituese që, para se t’i marrin fondet, të mund të sjellin prova se gëzojnë një minimum përkrahjeje nga zgjedhësit. Sidoqoftë, mospranimi për t’u dhënë subvencione publike partive të tjera rrezikon të sjellë dëm për pluralizmin dhe për parapëlqimet politike. Pranohet që, si praktikë e mirë, të shpallen vijat udhëheqëse që e tregojnë qartazi se si partitë e reja mund të lejohen në disa raste për të marrë fonde publike dhe se si ndihma publike mund të shtrihet përtej partive të përfaqësuara në Parlament. Duhet pasur parasysh që të vendoset një sistem bujar për sa i përket mundësisë së partive që të përzgjidhen e të përfitojnë nga fonde publike, me qëllim që të bëhet e sigurt se zgjedhësve do t’u propozohen mundësi të mjaftueshme parapëlqimesh politike në mënyrë që të bëjnë një zgjedhje reale.”
LIGJI
I. RRETH PRANUESHMËRISË
21. Gjykata vë re se kërkesëpadia nuk është haptazi e paarsyetuar në kuptimin e nenit 35 § 3 a) të Konventës dhe se ajo nuk ndeshet me asnjë arsye tjetër papranueshmërie. Është pra e udhës që ajo të shpallet e pranueshme.
II. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 14 TË KONVENTËS TË BASHKUAR ME NENIN 3 TË PROTOKOLLIT NR. 1
22. Duke iu referuar neneve 9, 10, 11 e 14 të Konventës, partia paditëse pretendon se, duke ia refuzuar asaj ndihmën e dhënë për partitë e tjera me arsyetimin se kjo kishte fituar më pak se 7% të votave të shprehura gjatë zgjedhjeve të mëparshme legjislative, shteti i ka bërë një diskriminim që e ka disfavorizuar atë për fushatat zgjedhore të viteve 1999, 2002 e 2007. Me këtë veprim, shteti paska cenuar shprehjen e lirë të mendimit të popullit për zgjedhjen e trupit legjislativ.
23. Gjykata do ta shqyrtojë fillimisht këtë ankim në këndvështrimin e nenit 14 të Konventës të bashkuar me nenin 3 të Protokollit nr. 1.
Neni 14 i Konventës shprehet kështu:
“Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në (...) Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.”
Neni 3 i Protokollit nr. 1 të Konventës thotë:
“Palët e Larta Kontraktuese marrin përsipër të organizojnë, në intervale të arsyeshme kohore, zgjedhje të lira me votim të fshehtë, në kushte që sigurojnë shprehjen e lirë të mendimit të popullit për zgjedhjen e organit ligjvënës.”
A. Tezat e palëve
24. Paditësi mbron mendimin se refuzimi i financimit publik për të cilin ai ankohet ka krijuar një pabarazi midis partive të ndryshme politike kandidate në zgjedhjet legjislative, duke ua shtuar shanset për sukses atyre që ishin tashmë të përfaqësuara në Parlament apo që kishin fituar më shumë se 7% të votave gjatë zgjedhjeve të mëparshme. Këto parti paskan përfituar një burim financimi të rëndësishëm që u paska siguruar atyre një epërsi të padrejtë (e në kundërshtim, veçanërisht, me ato dispozita të Kushtetutës e të konventave që e ndalojnë diskriminimin) në krahasim me partitë e reja kandidate në zgjedhje, sidomos për sa i përket përhapjes së mendimeve të tyre – meqenëse ndihma ua përforcon atyre aftësinë për të përdorur masmediat – si edhe organizimit të mbledhjeve dhe veprimtarive të ndryshme shoqërore e kulturore në shkallë kombëtare.
25. Qeveria e kundërshton tezën e palës së interesuar. Ajo vë në dukje se dallimi i bërë midis partive politike në fushën e financimit publik mbështetet te rezultatet e zgjedhjeve të mëparshme (në terma votash të shprehura dhe ose vendesh të fituara në Parlament në përfundim të atyre zgjedhjeve). Me fjalë të tjera, ai u mbështetka në arsye të ligjshme dhe objektive. Një refuzim financimi publik mbi bazën e mendimeve politike të mbrojtura nga një parti do të mund të ishte konsideruar si diskriminues, por rasti i çështjes në fjalë nuk qenka i tillë. Madje, shtetet paskan një hapësirë të gjerë vlerësimi për t’u vënë partive politike disa kushte minimale që të mund të përzgjidhen për ndihmën e shtetit, me kusht që këtyre partive të mos u pengohet e drejta e pjesëmarrjes në jetën politike.
B. Kriteret e përdorura nga Gjykata për zbatimin e nenit 14 të Konventës të bashkuar me nenin 3 të Protokollit nr. 1
26. Gjykata rikujton që diskriminimi ka të bëjë me një trajtim të ndryshëm të personave të vendosur në situata të krahasueshme, pa pasur ndonjë përligjje objektive dhe të arsyeshme. Një trajtim i diferencuar është pa “përligjje objektive dhe të arsyeshme” atëherë kur ai nuk ndjek ndonjë “qëllim të ligjshëm” ose kur nuk ekziston një “raport i arsyeshëm përpjesëtueshmërie midis mjeteve të përdorura dhe qëllimit të synuar” (shih, mes shumë të tjerash, Sejdić e Finci k. Bosnjë-Hercegovinës [DhM], nr. 27996/06 dhe 34836/06, § 42, GjEDNj 2009). Shtrirja e hapësirës së vlerësimit që gëzojnë Palët Kontraktuese në këtë drejtim ndryshon sipas rrethanave, fushave dhe kontekstit (Andrejeva k. Letonisë [DhM], nr. 55707/00, § 82, 18 shkurt 2009).
27. Për më tepër, Gjykata rikujton që neni 3 i Protokollit nr. 1 sanksionon një parim themelor në një regjim politik me të vërtetë demokratik dhe merr kështu një rëndësi kryesore në sistemin e Konventës (Mathieu-Mohin e Clerfayt k. Belgjikës, 2 mars 1987, § 47, seria A nr. 113). Roli i shtetit, si garant i fundit i pluralizmit, nënkupton marrjen e masave pozitive për të “organizuar” zgjedhje demokratike në “kushte që sigurojnë shprehjen e lirë të mendimit të popullit për zgjedhjen e trupit legjislativ” (Mathieu-Mohin e Clerfayt, i cituar më lart, § 54).
28. Zgjedhjet e lira dhe liria e shprehjes, sidomos liria e debatit politik, përbëjnë themelin e çdo regjimi demokratik (Mathieu-Mohin e Clerfayt, i cituar më lart, § 47; dhe Lingens k. Austrisë, 8 korrik 1986, §§ 41‑42, seria A nr. 103). “Shprehja e lirë e mendimit të popullit për zgjedhjen e trupit legjislativ” ka të bëje gjithashtu me nenin 11 të Konventës, i cili garanton lirinë e organizimit e pra, në mënyrë dytësore, lirinë e partive politike, të cilat përfaqësojnë një trajtë organizimi thelbësore për funksionimin e mirë të demokracisë. Një shprehje e tillë nuk do të mund të konceptohej pa pjesëmarrjen e një shumëllojshmërie partish politike përfaqësuese të rrymave të mendimit që përshkojnë popullsinë e një vendi. Duke u bërë jehonë këtyre të fundit jo vetëm në institucionet politike, por edhe, falë medieve, në të gjitha nivelet e jetës shoqërore, partitë politike japin një ndihmesë të pazëvendësueshme në debatin politik, i cili qëndron pikërisht në kërthizë të nocionit të shoqërisë demokratike (Lingens, i cituar më lart, § 42; Castells k. Spanjës, 23 prill 1992, § 43, seria A nr. 236; Partia Komuniste e Njësuar e Turqisë me të tjerë k. Turqisë, 30 janar 1998, Recueil des arrêts et décisions 1998‑I, § 44; dhe Yumak e Sadak k. Turqisë [DhM], nr. 10226/03, § 107, GjEDNj 2008).
29. Ashtu siç e ka saktësuar disa herë Komisioni Evropian i të Drejtave të Njeriut, fjalët “shprehje e lirë e mendimit të popullit” nënkuptojnë se zgjedhjet nuk mund të përmbajnë kurrfarë trysnie për parapëlqimin e një apo të disa kandidatëve dhe se, në këtë parapëlqim, zgjedhësi nuk duhet të nxitet padrejtësisht që të votojë për njërën parti apo për një tjetër (X. k. Mbretërisë së Bashkuar (vend. pran.), nr. 7140/75, Décisions et rapports (DR) 7, f. 99). Fjala “parapëlqim” nënkupton që partive të ndryshme politike duhet t’u sigurohen mundësi të arsyeshme për të paraqitur kandidatët e tyre në zgjedhje (po aty; shih gjithashtu X k. Islandës, nr. 8941/80, vendim i Komisionit i 8 dhjetorit 1981, DR 27, f. 156; dhe Yumak e Sadak, i cituar më lart).
30. Pavarësisht nga kjo, të drejtat e garantuara nga neni 3 i Protokollit nr. 1 nuk janë absolute. Ka vend për “kufizime të nënkuptuara” dhe shteteve kontraktuese duhet t’u jepet një hapësirë e gjerë vlerësimi në këtë fushë (shih, ndër të tjera, Matthews k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 24833/94, § 63, GjEDNj 1999‑I; dhe Labita k. Italisë [DhM], nr. 26772/95, § 201, GjEDNj 2000‑IV). Për sa i përket të drejtës për t’u paraqitur në zgjedhje, domethënë aspektit “pasiv” të të drejtave të garantuara nga neni 3 i Protokollit nr. 1, Gjykata tregohet edhe më e kujdesshme në vlerësimin e saj lidhur me kufizimet në këtë kontekst sesa kur ftohet të shqyrtojë kufizimet ndaj të drejtës së votës, domethënë elementit “aktiv” të të drejtave të garantuara nga neni 3 i Protokollit nr. 1.
31. Megjithatë, i takon Gjykatës që të vendosë në shkallë të fundit lidhur me respektimin e kërkesave të nenit 3 të Protokollit nr. 1; asaj i duhet të sigurohet se kushtet të cilave u nënshtrohen të drejtat për votë ose për t’u kandiduar në zgjedhje nuk i rrëgjojnë ato të drejta deri në atë pikë sa t’u prekin vetë thelbin e tyre dhe t’i lënë pa efektivitet (Mathieu-Mohin e Clerfayt, i cituar më lart, § 52).
C. Zbatimi i parimeve të lartpërmendura në rastin e çështjes në fjalë
1. Ekzistenca e një dallimi në trajtim
32. Në këtë çështje, Gjykata vë në dukje se partia politike paditëse pretendon se, gjatë zgjedhjeve legjislative të viteve 1999, 2002 dhe 2007, ajo është disfavorizuar në krahasim me partitë përfituese të ndihmës shtetërore, ngaqë i është refuzuar kjo ndihmë me arsyetimin se nuk ishte e përfaqësuar në Parlament (për shkak të pragut të përfaqësimit të caktuar në 10% të votave të shprehura në rang kombëtar) dhe se kishte fituar më pak se 7% të votave të shprehura gjatë zgjedhjeve të mëparshme legjislative.
33. Gjykata vë re se ÖDP-ja, e themeluar më 1996, ka mundur të pretendojë për ndihmë financiare nga shteti vetëm pas zgjedhjeve të vitit 1999. Duke qenë më të ulëta se pragu prej 7% i vendosur nga ligji kombëtar, rezultatet e arritura nga ÖDP-ja në zgjedhjet e mëpasshme – 0,8% të votave të vlefshme të shprehura në zgjedhjet legjislative të 18 prillit 1999, 0,34% në ato të 3 nëntorit 2002 dhe 0,15% në ato të vitit 2007 (paragrafët 18-19 të mësipërm) – nuk e kanë lejuar atë të marrë ndihmën në fjalë.
34. Megjithatë, Gjykata vëren se, para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 1999, gjashtë parti politike (prej të cilave vetëm njëra nuk ishte e përfaqësuar në Parlament) nga njëzet e një kandidate në ato zgjedhje e kishin marrë ndihmën financiare të shtetit. Për periudhën para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2002, gjashtë parti (prej të cilave vetëm njëra nuk ishte e përfaqësuar në Parlament) nga pesëmbëdhjetë që ishin kandidate kanë përfituar prej saj dhe, për periudhën para atyre të vitit 2007, kjo ndihmë u është dhënë pesë partive nga pesëmbëdhjetë kandidate (tri përfituese nuk ishin të përfaqësuara në Parlament).
35. Me sa shihet qartë, sistemi i financimit publik të partive politike i zbatuar në rastin e çështjes në fjalë e ka disfavorizuar ÖDP-në, e cila nuk ka marrë asnjë ndihmë, në krahasim me konkurrueset e saj që e kanë përfituar atë dhe që kanë mundur kështu ta financojnë shumë më lehtë përhapjen e mendimeve të tyre në rang kombëtar. Për këtë arsye, partia paditëse është bërë objekt për një dallim trajtimi në ushtrimin e të drejtave të saj zgjedhore sipas nenit 3 të Protokollit nr. 1, si pasojë e zbatimit të sistemit në fjalë.
36. I takon Gjykatës të hetojë, në dritën e parimeve të parashtruara këtu më lart, nëse sistemi i vënë në pikëpyetje ndjek ndonjë qëllim të ligjshëm dhe nëse ekziston ndonjë raport i arsyeshëm përpjesëtueshmërie midis mjeteve të përdorura dhe qëllimit të synuar. Zbatimi i këtyre dy kritereve do t’i lejojë asaj t’i përgjigjet pyetjes nëse masat objekt i kësaj çështjeje përbëjnë apo jo një diskriminim në kundërshtim me nenin 14 të Konventës “dhe/ose kanë cenuar vetë thelbin e së drejtës për shprehjen e lirë të popullit në kuptimin e nenit 3 të Protokollit nr. 1”.
2. Qëllimi i ligjshëm i dallimit në trajtim
37. Në fushën e financimit të partive politike, Gjykata e pranon se pagesa e kuotave nga anëtarët, burim tradicional financimi, nuk mjafton më për t’u bërë ballë shpenzimeve në rritje të vazhdueshme në një kontekst që karakterizohet nga konkurrenca politike, si edhe nga pleksja e faktorëve dhe kostoja e mjeteve moderne të komunikimit. Ajo vëren se, në vendet evropiane, si kudo gjetiu në botë, financimi publik i partive politike konceptohet si një mjet për të penguar korrupsionin dhe për të shmangur një varësi të tepruar të partive nga donatorët privatë. Për rrjedhojë, ky financim synon të forcojë pluralizmin politik dhe jep ndihmesë në funksionimin e mirë të institucioneve demokratike.
38. Nga shqyrtimi i sistemeve që zbatohen në shumicën e vendeve evropiane del se në këtë fushë nuk ka ndonjë sistem rregullues të njëtrajtshëm. Lidhur me këtë, Gjykata vëren se financimet që u jepen partive politike në rast zgjedhjesh shpërndahen midis tyre ose në mënyrë rreptësisht të barabartë, ose sipas parimit të caktimit të drejtë të fondeve, domethënë në funksion të rezultateve të tyre përkatëse në zgjedhjet e mëparshme.
39. Mund të vërehet gjithashtu se ligjet kombëtare të shteteve kontraktuese që kanë parapëlqyer sistemin e caktimit të drejtë të financimit publik kërkojnë pothuajse gjithmonë një minimum përkrahjeje nga zgjedhësit. Në mungesë të këtij pragu përfaqësimi, ka të ngjarë që sistemi në fjalë të sillte si pasojë të mbrapshtë që t’i nxiste mjediset politike për t’i shumëfishuar kandidaturat në mënyrë që të përfitonin më shumë të ardhura, duke shkaktuar kështu një “inflacion kandidaturash”, meqenëse çdo votë e fituar sjell çdo vit njëfarë shume të caktuar të hollash në cilësinë e financimit publik.
40. Në shtetet e tjera anëtare përveç Turqisë, niveli minimal i përfaqësisë që duhet të arrijë një parti politike për të pasur mundësi që të përfitojë nga ndihma publike luhatet midis 0,5% dhe 5% të votave të shprehura gjatë zgjedhjeve të mëparshme dhe është shpeshherë më i ulët se pragu zgjedhor që kërkohet për caktimin e vendeve në Parlament. Për rrjedhojë, përveç partive të përfaqësuara në Parlament, njëfarë ndihme publike e marrin edhe partitë e reja politike që gëzojnë një minimum përkrahjeje nga qytetarët, në përpjesëtim me përfaqësimin e tyre në elektorat.
41. Gjykata vë re gjithashtu se asnjë prej teksteve të miratuara nga organet e Këshillit të Evropës rreth çështjes së partive politike në një regjim demokratik pluralist nuk e cilëson si të paarsyeshme kërkesën që ligjet kombëtare u vënë si kusht partive përfituese fondesh publike për të pasur një minimum përkrahjeje në elektorat dhe as nuk cakton ndonjë përqindje të përpiktë në këtë fushë. Për këtë çështje, ajo u referohet vërejtjeve të disa institucioneve të specializuara ku del, nga njëra anë, se është e udhës të bëhet kujdes që të mos caktohet një prag tepër i lartë, sepse ka rrezik të cenohen pluralizmi politik dhe partitë e vogla (“Vijat udhëheqëse rreth caktimit e rregullave për partitë politike”, të përgatitura nga OSBE/ODIHR-i dhe Komisioni i Venecies, të miratuara më 15-16 tetor 2010, CDL-AD(2010)024, § 185 – paragrafi 20 i mësipërm) e, nga ana tjetër, se edhe formula e caktimit të fondeve nuk duhet të lejojë që dy partitë më të mëdha politike ta monopolizojnë marrjen e fondeve publike (po aty, § 187).
42. Duke pasur parasysh sa paraprin, Gjykata vlerëson se financimi publik i partive politike sipas një sistemi të drejtë caktimi fondesh që kërkon një minimum përkrahjeje në elektorat ndjek qëllimin e drejtë për konsolidimin e pluralizmit demokratik duke shmangur njëherazi një fragmentim të tepruar e jo funksional të kandidaturave, pra për forcimin e shprehjes së mendimit të popullit lidhur me zgjedhjen e trupit legjislativ (shih, në të njëjtin drejtim, Fournier k. Francës, nr. 11406/85, vendim i Komisionit i 10 marsit 1988, DR 55, f. 130; dhe, mutatis mutandis, Cheminade k. Francës (vend. pran.), nr. 31559/96, 26 janar 1999 për sa i takon një sistemi ndihme publike që e rezervon shlyerjen e shpenzimeve propagandistike dhe të dorëzanisë zgjedhore vetëm për ata kandidatë ose ato lista që kanë fituar njëfarë përqindjeje të caktuar të votave të shprehura).
3) Përpjesëtueshmëria e dallimit në trajtim
43. Gjykata vëren se minimumi i përfaqësimit të kërkuar në Turqi për partitë që pretendojnë financim publik, konkretisht 7% të votave të shprehura gjatë zgjedhjeve të mëparshme legjislative, është më i larti në Evropë (paragrafi 40 i mësipërm). Për t’u siguruar që pragu në fjalë nuk është i shpërpjesëtuar, Gjykata kërkon fillimisht të vlerësojë efektet e tij. Ajo do t’i shqyrtojë më pas masat korrigjuese që e shoqërojnë atë.
44. Gjykata vëren në radhë të parë se pragu prej 7% është më i ulët se pragu zgjedhor minimal i kërkuar për ndarjen e vendeve në Parlamentin turk, konkretisht 10% të votave të shprehura në rang kombëtar. Gjatë zgjedhjeve legjislative për të cilat bëhet fjalë në këtë çështje, partitë politike jo të përfaqësuara në Parlament, të cilat e kishin arritur pragun prej 7% të votave të shprehura, mund ta merrnin ndihmën shtetërore deri në zgjedhjet e mëpasshme. Në zgjedhjet e vitit 1999, një nga gjashtë partitë përfituese fondesh publike nuk ishte e përfaqësuar në Parlament. Në ato të vitit 2002, ky përpjesëtim ishte i njëjtë, ndërsa në ato të vitit 2007, fonde publike morën tri parti që nuk ishin të përfaqësuara në Parlament dhe dy parti që ishin të tilla. Me fjalë të tjera, gjatë periudhave në fjalë në këtë çështje, ndihma publike nuk ka qenë e monopolizuar nga partitë politike të përfaqësuara në Parlament, madje as nga partia në pushtet e nga partia kryesore e opozitës.
45. Gjykata duhet të marrë parasysh gjithashtu rezultatet e ÖDP-së në zgjedhjet legjislative që u paraprijnë periudhave të caktimit të ndihmave publike në fjalë. Votat e fituara nga partia paditëse përfaqësonin midis 0,8 dhe 0,15% të votave të shprehura të vlefshme gjatë këtyre zgjedhjeve. Duke qenë shumë më të ulëta sesa pragu i përfaqësimit që kërkohet nga legjislacioni turk për dhënien e fondeve publike, këto rezultate do të ishin konsideruar gjithashtu edhe në disa shtete të tjera evropiane si të pamjaftueshme për dhënien e një financimi të tillë. Ndonëse ankesa e partisë paditëse nuk përbën një actio popolaris, përderisa kjo e fundit është prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë e të menjëhershme nga pragu i kontestuar i përfaqësimit, mbetet sidoqoftë fakti që ÖDP-ja nuk ia ka arritur të vërtetojë përpara Gjykatës se gëzonte pranë elektoratit turk një mbështetje që i jepte asaj një përfaqësim jo të papërfillshëm.
46. Është e udhës gjithashtu të merret parasysh fakti se, përveç financimit të drejtpërdrejtë, shteti u jep partive politike përkrahje publike edhe në trajta të tjera. Ndër mjetet korrigjuese të sistemit të financimit publik në fuqi në Turqi, i cili nuk ua lejon të gjitha partive marrjen e subvencioneve të drejtpërdrejta, mund të përmenden përjashtimet nga tatimi që u bëhen atyre lidhur me disa të ardhura, si edhe dhënia e njëfarë kohe transmetimi në periudha fushate zgjedhore. Përpara Gjykatës nuk është kundërshtuar fakti se ÖDP-ja ka përfituar nga këto forma alternative ndihme publike.
47. Duke parë përfundimet ku ka dalë për sa i përket dështimit të ÖDP-së për të siguruar një minimum përkrahjeje nga qytetarët, si edhe efektit kompensues të trajtave të tjera të ndihmës publike që kjo parti ka pasur në dispozicion, Gjykata vlerëson se dallimi në trajtim, objekt i kësaj çështjeje, është në përpjesëtim të arsyeshëm me qëllimin e synuar.
48. Gjykata del në përfundim se, në rrethanat e çështjes në fjalë, mospranimi i shtetit për t’i dhënë ÖDP-së një ndihmë financiare të drejtpërdrejtë, me arsyetimin se kjo parti nuk e kishte arritur minimumin e përfaqësimit prej 7% të kërkuar nga ligji, mbështetej në një përligjje objektive dhe të arsyeshme, se ai nuk e ka cenuar vetë thelbin e të drejtës për shprehjen e lirë të popullit dhe se ai nuk ishte pra në kundërshtim me nenin 14 të bashkuar me nenin 3 të Protokollit nr. 1.
49. Për këtë arsye, nuk ka pasur shkelje të këtyre dispozitave.
III. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENEVE 9, 10 DHE 11 TË KONVENTËS
50. Partia paditëse ankohet gjithashtu për një shkelje të neneve 9, 10 dhe 11 të Konventës. Meqenëse ankimet e saj kanë të bëjnë me të njëjtat fakte si ato të studiuara në fushën e nenit 14 të Konventës të bashkuar me nenin 3 të Protokollit nr. 1, Gjykata vlerëson se nuk është nevoja që ato të shqyrtohen veçmas.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. E shpall, njëzëri, të pranueshme kërkesëpadinë;
2. Thotë, me pesë vota në favor e dy kundër, se nuk ka pasur shkelje të nenit 14 të Konventës të bashkuar me nenin 3 të Protokollit nr. 1;
3. Thotë, njëzëri, se nuk është nevoja të shqyrtohen veçmas ankesat sipas neneve 9, 10 dhe 11 të Konventës.
I hartuar në frëngjisht, pastaj i njoftuar me shkrim më 10 maj 2012, në zbatim të nenit 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores.
Stanley NaismithFrançoise Tulkens
SekretarKryetare
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të Rregullores, paraqitja e mendimit më vete të gjyqtarëve F. Tulkens e A. Sajó.
F.T.
S.H.N.
Mendimet më vete nuk janë përkthyer, por janë në anglisht dhe/ose në frëngjisht në variant(in/et) e vendimit në gjuhë zyrtare dhe mund të shihen bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jotregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund) Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Tout personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy