PAPOSHVILI kundër BELGJIKËS
(kërkesa nr. 41738/10)
13 dhjetor 2016
Dhomë e Madhe
dështimi i autoriteve për të marrë në konsideratë shëndetin e kërkuesit gjatë procedurave të dëbimit të tij, do të kishte çuar në trajtim cnjerezor dhe poshtërues, në shkelje të nenit 3
I. Faktet kryesore
1. Kërkuesi, Georgie Paposhvili, ishte një shtetas gjeorgjian i lindur në vitin 1958 që jetonte në Bruksel. Ai ndërroi jetë më 7 qershor 2016. Më 20 qershor 2016 gruaja e kërkuesit dhe tre fëmijët e tyre shprehën dëshirën për të vazhduar procedurat para Gjykatës.
2. Z. Paposhvili mbërriti në Belgjikë më 25 nëntor 1998, shoqëruar nga gruaja e tij dhe fëmija i tyre gjashtë vjeçar. Çifti më pas pati edhe dy fëmijë të tjerë. Midis viteve 1998 dhe 2007 z. Paposhvili u shpall fajtor për një numër veprash penale, përfshirë grabitje me dhunë dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale. Ndërkohë që vuante dënimet me burgim, z. Paposhvili u diagnostikua me një sërë sëmundjesh, përfshirë leukeminë limfotike kronike dhe tuberkulozin, për të cilat mori trajtim spitalor. Duke u mbështetur në nenet 3 dhe 8 të Konventës, ai paraqiti disa kërkesa të pasuksesshme për rregullimin e statusit të tij të qëndrimit në Belgjikë për arsye të jashtëzakonshme dhe mjekësore, me pretendimin se nëse kthehej në Gjeorgji nuk do mund të merrte trajtimin e nevojshëm.
3. Në gusht të vitit 2007, Ministri i Brendshëm lëshoi një urdhër për dëbimin e kërkuesit dhe ndalimin për t’u rifutur në Belgjikë për dhjetë vjet pasi përbënte rrezik për rendin publik. Urdhri do të bëhej i zbatueshëm pasi z. Paposhvili të përfundonte dënimin e tij, por në fakt nuk u zbatua, pasi ai ishte duke u trajtuar. Më 7 korrik 2010, Zyra e të Huajve lëshoi një urdhër për largimin e tij nga vendi, së bashku me një urdhër për ndalimin e tij. Kërkuesi u transferua në një vendqendrim për emigrantët e paligjshëm me qëllim kthimin e tij në Gjeorgji dhe u pajis me dokumentet e udhëtimit.
4. Më 23 korrik 2010, z. Paposhvili bëri kërkesë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut për zbatimin e një masë të përkohshme sipas nenit 39 të Rregullores me qëllim pezullimin e dëbimit të tij nga Belgjika. Gjykata vendosi pezullimin e dëbimit të tij. Më pas kërkuesi u lirua. Afati për zbatimin e urdhrit për të lënë territorin belg u shty disa herë. Në nëntor të vitit 2009, gruaja e kërkuesit dhe tre fëmijët e tij u lejuan të qëndronin në Belgjikë. Midis viteve 2012 dhe 2015 z. Paposhvili u arrestua disa herë për vjedhje dyqani.
5. Kërkuesi, duke u mbështetur në të drejtën e jetës sipas nenit 2 dhe ndalimin e trajtimit çnjerëzor ose poshtërues sipas nenit 3, pretendonte se kishte arsye të konsiderueshme për të besuar se nëse dëbohej në Gjeorgji, do të përballej me rrezikun real të trajtimit çnjerëzore e degraduese apo vdekje të parakohshme. Ai gjithashtu pretendoi, sipas nenit 8, se nëse dëbohej nuk do mund të qendronte me familjen e tij, e cila ishte mbështetja e vetme morale për të.
II. Vendimi i Gjykatës
6. Më 17 prill 2014, një Dhomë e Gjykatës vendosi se nuk ka pasur shkelje të neneve 2, 3 dhe 8 të Konventës. Më 20 prill 2015, kolegji i Dhomës së Madhe pranoi kërkesën në emër të kërkuesit për referimin e çështjes tek Dhoma e Madhe sipas nenit 43 të Konventës. Gjykata konstatoi se duke pasur parasysh natyrën e pretendimeve dhe rolin e sistemit të Konventës, fakti që kërkuesi kishte ndërruar jetë nuk përbënte pengesë për vazhdimin e gjykimit të çështjes.
A. Në lidhje me nenet 2 dhe 3
7. Gjykata ripohoi të drejtën e të gjitha Shteteve Kontraktuese për të kontrolluar hyrjen, qëndrimin dhe dëbimin e të huajve. Megjithatë, nëse ekzistonte besimi i bazuar se personi në fjalë, pas dëbimit, do të përballej me një rrezik real për t’iu nënshtruar torturës ose trajtimit çnjerëzor dhe degradues, neni 3 i detyronte shtetet të mos e dëbonin personin në fjalë. Cfarë konsiderohej keqtrajtim varej nga rrethanat e rastit, të tilla si kohëzgjatja e trajtimit, efektet fizike dhe mendore, dhe në disa raste, gjinia, mosha dhe gjendja shëndetësore e viktimës. Vuajtjet e shkaktuara për shkak të një sëmundje mund të përfshihen në fushëveprimin e nenit 3, nëse ato përkeqësohen për shkak të trajtimit nga ana e autoriteteve shtetërore.
8. Gjykata pasi analizoi jurisprudencën e saj, arriti në përfundimin se zbatimi i deritanishëm i nenit 3 nuk ofronte mbrojtjen e nevojshme për të huajt të cilit ishin të sëmurë rëndë (në ndryshim nga ata që ishin në prag të vdekjes). Gjykata vlerësoi se "rastet e tjera shumë të jashtëzakonshme", në kuptimin e vendimit në çështjen N. kundër Mbretërisë së Bashkuar[1] të cilat mund të ngrenë një çështje sipas nenit 3, i referohen situatave që kanë të bëjnë me dëbimin e një personi të sëmurë rëndë, kur ka arsye thelbësore për të besuar se ai do të përballej me rrezikun real, për shkak të mungesës së trajtimit të duhur në vendin pritës ose mungesës së aksesit ndaj një trajtimi të tillë, të përkeqësimit serioz, të shpejtë dhe të pakthyeshëm të gjendjes së tij shëndetësore, çka do të çonte në vuajtje të shtuara ose në një reduktim të ndjeshëm të jetëgjatësisë.
9. Shteti është i detyruar të vlerësojë rreziqet me të cilat kërkuesi mund të përballet nëse do të dëbohet në vendin pritës, në mënyrë që të përmbushë detyrimin e tij negativ për të mos ekspozuar personat ndaj rrezikut të keqtrajtimit. Shteti duhet të verifikojë nëse trajtimi shëndetësor në shtetin pritës është i mjaftueshëm dhe i përshtatshëm në praktikë për trajtimin e sëmundjes së kërkuesit dhe nëse personi në fjalë ka faktikisht mundësi për ta marrë një trajtim të tillë. Nëse ekzistojnë dyshime serioze në lidhje me ndikimin e dëbimit, Shteti kthyes duhet të marrë garanci individuale dhe të mjaftueshme nga Shteti pritës që personit do ti ofrohet trajtimi i duhur. Në rastin në fjalë, kërkuesi, kishte parashtruar informacione të hollësishme mjekësore, se si trajtimi në Belgjikë kishte bërë që gjendja e tij shëndetësore të ishte e qëndrueshme dhe se nëse trajtimi ndërpritej, nuk do ti mbeteshin më shumë se gjashtë muaj jetë. Gjithashtu kërkuesi kishte pohuar se në Gjeorgji mungonte qoftë trajtimi, qoftë transplantimi i organeve të dhuruara.
10. Pavarësisht fakteve të mësipërme, kërkesat e z.Paposhvili për tu pajisur me letra të rregullta qëndrimi për arsye mjekësore u refuzua nga Zyra e të Huajve. Bordi i Ankesave për të Huajt konstatoi se, kur autoriteti administrativ parashtronte arsyet për përjashtim, nuk ishte e nevojshme që ai të shqyrtonte provat mjekësore të paraqitura. Lidhur me ankesat e bazuara në nenin 3 të Konventës, Bordi i Ankesave për të Huajt vuri në dukje se vendimi që refuzonte lejen për të qëndruar nuk ishte shoqëruar me një masë largimi, kështu që rreziku i ndërprerjes së trajtimit mjekësor të kërkuesit në rast se kthehej në Gjeorgji ishte thjesht hipotetik. Këshilli i Shtetit, në të cilin kërkuesi apeloi për çështje të ligjit, mbështeti arsyetimin e Bordit të Ankesave për të Huajt.
11. Duke qenë se raportet mjekësore të kërkuesit nuk ishin marrë parsysh nga Zyra për të Huajt apo Bordi i Ankesave për të Huajt në prespektivën e nenit 3 gjatë procedurave për lejimin ose jo të qëndrimit të kërkuesit, Gjykata arriti në përfundimin se nëse kërkuesi kthehej në Gjeorgji, do të shkelej neni 3 i Konventës. Kështu, Gjykata e konsideroi të panevojshme shqyrtimin e pretendimeve sipas nenit 2 të Konventës.
B. Në lidhje me nenin 8
12. Bordi i Ankesave për të Huajt e hodhi poshtë kërkesën e z. Paposhvili sipas nenit 8, me arsyetimin se vendimi që refuzonte lejen e qëndrimit nuk ishte i shoqëruar me një masë largimi. Megjithatë, Gjykata vlerësoi se autoritetet kombëtare duhet të bënin një vlerësim të ndikimit që do të kishte dëbimi i z. Paposhvili në jetën familjare të tij në dritën e gjendjes së tij shëndetësore; kjo përbënte një detyrim procedural për autoritetet në mënyrë që të garantonin efektivitetin e së drejtës për respektimin e jetës familjare. Shteti duhet të kishte shqyrtuar nëse do të mundej familja e kërkuesit ta ndiqte atë në Gjeorgji nëse dëbohej dhe nëse nuk do mundej, a kërkonte respektimi i të drejtës së z. Paposhvili për respektimin e jetës së tij familjare që atij ti jepej leja e qëndrimit në Belgjikë, për kohën që i kishte mbetur për të jetuar. Kështu, Gjykata vendosi që nëse z. Paposhvili do të ishte dëbuar në Gjeorgji pa vlerësuar këto faktorë, do të kishte pasur gjithashtu një shkelje e nenit 8 të Konventës.
C. Në lidhje me nenin 42
13. Gjykata u shpreh se konstatimi i shkeljes së neneve 3 dhe 8 të Konventës përbënte shpërblim të drejtë në lidhje me çdo dëm jo material që z. Paposhvili mund të kishte pësuar. Gjithashtu ajo vendosi që Belgjika t’i paguante familjes së z.Paposhvilit 5,000 euro në lidhje me kostot dhe shpenzimet.
[1] N. k. Mbretërisë së Bashkuar, vendim [DHM] i 27 majit 2008, nr. 26565/05, i përshirë në këtë seksion.
Full & Egal Universal Law Academy