© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA PARRILLO k. ITALISË
(Kërkesëpadia nr. 46470/11)
VENDIM
STRASBURG
27 gusht 2015
Ky vendim është i formës së prerë. Atij mund t’i bëhen rishikime në redaktim.
Në çështjen Parrillo k. Italisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e mbledhur në një Dhomë të Madhe të përbërë nga:
Dean Spielmann, kryetar,
Josep Casadevall,
Guido Raimondi,
Mark Villiger,
Isabelle Berro,
Ineta Ziemele,
George Nicolaou,
András Sajó,
Ann Power-Forde,
Nebojša Vučinić,
Ganna Yudkivska,
Vincent A. De Gaetano,
Julia Laffranque,
Paulo Pinto de Albuquerque,
Helen Keller,
Faris Vehabović,
Dmitry Dedov, gjyqtarë,
e nga Johan Callewaert, zëvendëssekretar i Dhomës së Madhe,
Pasi e diskutoi çështjen në dhomë këshillimi më 18 qershor 2014 dhe më 22 prill 2015,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë të fundit:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të kësaj çështjeje ndodhet një kërkesëpadi (nr. 46470/11) e drejtuar kundër Republikës Italiane dhe me anë të së cilës një qytetare e këtij shteti, Znja Adelina Parrillo (“paditësja”), i është drejtuar Gjykatës më 26 korrik 2011 në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”).
2. Paditësja është përfaqësuar nga Z. Nicolò Paoletti, Znja Claudia Sartori dhe Znja Natalia Paoletti, avokatë në Romë. Qeveria italiane (“Qeveria”) është përfaqësuar nga bashkagjentët e saj, Znja Paola Accardo dhe Z. Gianluca Mauro Pellegrini.
3. Paditësja paraqiste në veçanti pretendimin se ndalimi, i shpallur nga neni 13 i Ligjit nr. 40 të 19 shkurtit 2004, për t’i dhuruar kërkimit shkencor embrione të krijuara përmes riprodhimit me ndihmë mjekësore ishte i papajtueshëm me të drejtën e saj për respektimin e jetës së saj private dhe me të drejtën e saj për respektimin e pasurive të saj, të mbrojtura përkatësisht nga neni 8 i Konventës dhe nga neni 1 i Protokollit nr. 1 të Konventës. Ajo ankohej gjithashtu për një shkelje të lirisë së shprehjes të garantuar nga neni 10 i Konventës, një aspekt themelor të së cilës e përbën për mendimin e saj kërkimi shkencor.
4. Kërkesëpadia i është caktuar Seksionit të Dytë të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës).
5. Më 28 maj 2013, ankesat e bëra në bazë të nenit 8 të Konventës dhe të nenit 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës i janë njoftuar Qeverisë dhe kërkesëpadia është shpallur e papranueshme për çdo pjesë tjetër.
6. Më 28 janar 2014, një dhomë e Seksionit të Dytë e përbërë nga Işıl Karakaş, kryetare, Guido Raimondi, Peer Lorenzen, Dragoljub Popović, András Sajó, Nebojša Vučinić dhe Paulo Pinto de Albuquerque, gjyqtarë, si edhe nga Stanley Naismith, sekretar seksioni, ka hequr dorë nga juridiksioni i saj në favor të Dhomës së Madhe, meqenëse asnjëra nga palët nuk ka pasur kundërshtim për këtë (neni 30 i Konventës dhe neni 72 i Rregullores).
7. Përbërja e Dhomës së Madhe është vendosur në përputhje me nenin 26 §§ 4 e 5 të Konventës dhe me nenin 24 të Rregullores.
8. Si paditësja ashtu edhe Qeveria kanë paraqitur nga një përkujtesë rreth pranueshmërisë e rreth themelit të çështjes.
9. Qendra Evropiane për Drejtësinë dhe të Drejtat e Njeriut (“ECLJ”), shoqatat “Movimento per la vita”, “Scienza e vita”, “Forum delle associazioni familjari”, “Luca Coscioni”, “Amica Cicogna Onlus”, “L’altra cicogna Onlus”, “Cerco bimbo”, “VOX – Osservatorio italiano sui Diritti”, “SIFES – Society of Fertility, Sterility and Reproductive Medicine” dhe “Cittadinanzattiva” si edhe dyzet e gjashtë anëtarë të Parlamentit italian janë lejuar të ndërhyjnë në procedurën me shkrim (neni 36 § 2 i Konventës dhe neni 44 § 3 i Rregullores).
10. Një seancë është zhvilluar në publik në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 18 qershor 2014 (neni 59 § 3 i Rregullores).
Janë paraqitur:
– për Qeverinë
Znja P. Accardobashkagjente,
Z.G. Mauro Pellegrinibashkagjent,
Znja A. Morresi, anëtare e Komitetit Kombëtar
për Bioetikën dhe profesoreshë kimie
fizike në Degën e Kimisë,
biologjisë dhe Bioteknologjisë të Universitetit
të Peruxhias këshilltare,
Znja D. Fehily,inspektore e këshilltare teknike
pranë Qendrës Kombëtare për Transplantim
të Romëskëshilltare;
– për paditësen
Z.N. Paoletti;
Znja C. Sartori;
Znja N. Paoletti, avokatë,avokatë,
Z.M. De Luca, profesor biokimie dhe
drejtor i Qendrës për Mjekësinë
Rigjenerative “Stefano Ferrari” të
Universitetit të Modenës e Rexhio Emilias, këshilltar.
Gjykata ka dëgjuar deklarimet e Znjës P. Accardo, Znjës A. Morresi, Z. N. Paoletti, Z. M. De Luca dhe Znjës C. Sartori, si edhe përgjigjet e Znjës P. Accardo, Z. G. Mauro Pellegrini, Z. M. De Luca, Znjës N. Paoletti dhe Z. N. Paoletti për pyetjet e bëra nga disa gjyqtarë.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
11. Paditësja ka lindur më 1954 dhe është me vendbanim në Romë.
12. Më 2002, ajo iu drejtua teknikave të riprodhimit me ndihmë mjekësore, duke kryer një fekondim in vitro (“FIV”) me bashkëjetuesin e saj në Qendrën e Mjekësisë Riprodhuese të European Hospital (“qendra”) të Romës. Pesë embrione të dala nga ky fekondim u vendosën në kriokonservim.
13. Përpara se të kryhej ndonjë mbjellje, bashkëjetuesi i paditëses vdiq më 12 nëntor 2003 gjatë një atentati në Nasirija (Irak), ndërkohë që po realizonte një reportazh lufte.
14. Meqenëse hoqi dorë nga nisja e një shtatzënie, paditësja vendosi t’ia dhurojë embrionet e saj kërkimit shkencor për të dhënë ndihmesë në përparimin e mjekimit të sëmundjeve që është e vështirë të shërohen.
15. Sipas informacioneve të dhëna gjatë seancës përpara Dhomës së Madhe, paditësja paraqiti gojarisht disa kërkesa për vënie në dispozicion të embrioneve të saj pranë qendrës ku këto ruheshin, por më kot.
16. Me anë të një letre të datës 14 dhjetor 2011, paditësja i kërkoi drejtorit të qendrës që t’ia vinte asaj në dispozicion pesë embrionet e ruajtura në kriokonservim në mënyrë që këto të shërbenin për kërkimet rreth qelizave staminale. Drejtori e rrëzoi këtë kërkesë, duke vënë në dukje se ky lloj kërkimesh ishte i ndaluar dhe dënohej penalisht në Itali, në zbatim të nenit 13 të Ligjit nr. 40 të 19 shkurtit 2004 (“Ligji nr. 40/2004”).
17. Embrionet në fjalë ruhen sot në bankën kriogjenike të qendrës ku është kryer fekondimi in vitro.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDSHME PËRKATËSE
A. Ligji nr. 40 i 19 shkurtit 2004, i hyrë në fuqi më 10 mars 2004 (“Normat në fushën e fekondimit me ndihmë mjekësore”)
Neni 1 – Qëllimi
“1. Me qëllim që të zgjidhen problemet riprodhuese që rrjedhin nga shterpësia ose nga papjellshmëria njerëzore, lejohet që të përdoret riprodhimi me ndihmë mjekësore në kushtet dhe sipas modaliteteve të parashikuara nga ky ligj, i cili garanton të drejtat e të gjithë personave të interesuar, duke përfshirë e dhe ato të subjektit të krijuar në këtë mënyrë.”
Neni 5 – Kushtet e qasjes
“(...) [vetëm] çiftet [e përbëra nga persona] madhorë, me gjini të ndryshme, të martuar ose që bashkëjetojnë, në moshë për të lindur dhe të gjallë mund t’i përdorin teknikat e riprodhimit me ndihmë mjekësore.”
Neni 13 – Eksperimentimi me embrionin njerëzor
“1. Çdo eksperimentim me embrionin njerëzor është i ndaluar.
2. Kërkimet klinike dhe eksperimentale mbi embrionin njerëzor mund të lejohen vetëm në qoftë se ato ndjekin ekskluzivisht qëllime terapeutike e diagnostikuese që synojnë mbrojtjen e shëndetit si edhe zhvillimin e embrionit dhe në qoftë se nuk ka metoda të tjera..
(...)
4. Shkelja e ndalimit të parashikuar në pikën e parë ndëshkohet me dënim nga dy deri në gjashtë vjet burgim dhe me gjobë nga 50 000 deri në 150 000 euro. (...)
5. Çdo profesionist i shëndetësisë i dënuar për një vepër penale të parashikuar në këtë nen do të bëhet objekt i një pezullimi nga ushtrimi i profesionit për një afat nga një deri në tre vjet.”
Neni 14 – Kufizime ndaj zbatimit të teknikave mbi embrionin
“1. Kriokonservimi dhe asgjësimi i embrioneve janë të ndaluar, pa i dëmtuar dispozitat e Ligjit nr. 194 të 22 majit 1978 [norma rreth mbrojtjes sociale të amësisë e rreth ndërprerjes së vullnetshme të shtatzënisë].
2. Teknikat e prodhimit të embrioneve nuk mund të shpien në krijimin e një numri më të madh embrionesh sesa ai rreptësisht i domosdoshëm për realizimin e një mbjelljeje të vetme e të njëkohshme, numër ky që në asnjë rast nuk mund të jetë më i madh sesa tre.
3. Kur transferimi i embrioneve në mitër është i pamundur për shkaqe force madhore të rëndë e të provuar lidhur me gjendjen shëndetësore të gruas, të cilat nuk kanë qenë të parashikueshme në çastin e fekondimit, kriokonservimi i embrioneve lejohet deri në datën e transferimit, i cili do të kryhet sa më parë që të jetë e mundur.”
18. Me një vendim nr. 151 të datës 1 prill 2009 (shih paragrafët 29-31 të mëposhtëm), Gjykata Kushtetuese e shpalli jokushtetuese dispozitën e pikës së dytë të nenit 14 të Ligjit nr. 40/2004 sipas së cilës teknikat e prodhimit të embrioneve nuk mund të shpien në krijimin e një numri më të madh embrionesh sesa ai rreptësisht i domosdoshëm “për realizimin e një mbjelljeje të vetme e të njëkohshme, numër ky që në asnjë rast nuk mund të jetë më i madh sesa tre”. Ajo e gjykoi jokushtetuese pikën 3 të të njëjtit nen me arsyetimin se kjo nuk parashikonte që transferimi i embrioneve duhej të bëhej pa e dëmtuar shëndetin e gruas.
B. Mendimi i Komitetit Kombëtar për Bioetikën lidhur me birësimin për lindjen (“ADP”) (18 nëntor 2005)
19. Pas miratimit të Ligjit nr. 40/2004, Komiteti Kombëtar për Bioetikën ka marrë në shqyrtim pikën lidhur me fatin e embrioneve të kriokonservuara në gjendje braktisjeje, meqenëse ligji nuk parashikonte asnjë dispozitë specifike rreth këtij subjekti, duke u kufizuar me ndalimin e nënkuptuar të përdorimit të embrioneve të tepërta për qëllime kërkimesh shkencore.
20. Lidhur me këtë, Komiteti ka dhënë një mendim të favorshëm për “birësimin për lindjen”, praktikë sipas së cilës një çift ose një grua birësojnë embrione të tepërt për qëllime mbjelljeje dhe e cila jep mundësi që embrionet në fjalë të përdoren në një perspektivë jete dhe realizimi të një projekti familjar.
C. Dekreti i Ministrisë së Shëndetësisë i 11 prillit 2008 (“Shënime shpjeguese në fushën e riprodhimit me ndihmë mjekësore”)
“(...) Kriokonservimi i embrioneve: Ka dy kategori embrionesh që mund të bëhen objekt i një kriokonservimi: e para është ajo e embrioneve që janë në pritje të një mbjelljeje, duke përfshirë edhe ato që kanë qenë objekt i një kriokonservimi përpara hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 40 të vitit 2004; e dyta është ajo e embrioneve gjendja e braktisjes e të cilave është vërtetuar (...).”
D. Raporti përfundimtar i “Komisionit Studimor për Embrionet” i 8 janarit 2010
21. Me anë të një dekreti të datës 25 qershor 2009, Ministria e Shëndetësisë krijoi një Komision Studimor për embrionet e kriokonservuara në qendrat për riprodhim me ndihmë mjekësore. Raporti përfundimtar i këtij komisioni, i miratuar me shumicë votash më 8 janar 2010, parashtron si vijon:
“Ndalimi ligjor për t’i asgjësuar embrionet duhet të kuptohet sikur do të thotë se kriokonservimi nuk mund të ndërpritet përveçse në dy raste: kur embrioni i çngrirë mund të mbillet në mitrën e nënës ose të një gruaje të gatshme për ta pranuar atë, ose kur është e mundur që për të të vërtetohet shkencërisht vdekja e natyrshme ose humbja përfundimtare e shanseve për sukses si organizëm. Në gjendjen e tanishme të dijeve [shkencore], për shanset për sukses të një embrioni mund të sigurohesh vetëm duke e çngrirë atë, situatë kjo paradoksale përderisa një embrion i çngrirë nuk mund të ngrihet përsëri dhe ai do të vdesë në mënyrë të pashmangshme në qoftë se nuk mbillet menjëherë in utero. Këndej rrjedh perspektiva tutioriste e një konservimi të mundshëm pa kufi në kohë të embrioneve të ngrira. Sidoqoftë, është me vend të shënohet se progresi i kërkimeve shkencore do ta bëjë të mundur njohjen e kritereve dhe të metodologjive për ta diagnostikuar vdekjen ose më së paku humbjen e shanseve për sukses të embrioneve të kriokonservuara: kështu do të jetë e mundur të kapërcehet paradoksi i tanishëm, i pashmangshëm nga pikëpamja ligjore, i një kriokonservimi që mund të mos ketë fund kurrë. Në pritje të këtyre rezultateve, [është e udhës të ripohohet] se nuk mund të mos dihet që neni 14 i Ligjit nr. 40 të vitit 2004 e ndalon shprehimisht asgjësimin e embrioneve, duke përfshirë edhe ato që janë të kriokonservuara. Kësaj i shtohet që, për sa i përket fatit të embrioneve të tepërta, ligjvënësi i Ligjit nr. 40 ka zgjedhur konservimin dhe jo shkatërrimin e tyre, duke i dhënë kështu epërsi qëllimit të mbajtjes së tyre në jetë, edhe atëherë kur fati i tyre është i pasigurt.”
E. Kushtetuta e Republikës Italiane
22. Nenet përkatëse të Kushtetutës shprehen kështu:
Neni 9
“Republika nxit zhvillimin e kulturës dhe të kërkimit shkencor e teknik. (...)”
Neni 32
“Republika e mbron shëndetin si të drejtë themelore të individit dhe interes të shoqërisë. (...)”
Neni 117
“Pushteti legjislativ ushtrohet nga shteti e nga rajonet në respektim të Kushtetutës, si edhe të detyrimeve që rrjedhin prej rendit juridik komunitar dhe zotimeve ndërkombëtare. (...)”
F. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nr. 348 e nr. 349 të 24 tetorit 2007
23. Këto vendime u japin përgjigje disa pyetjeve që kishin shtruar Gjykata e Kasacionit dhe një gjykatë territoriale për sa i përket pajtueshmërisë së Dekretligjit nr. 333 të 11 korrikut 1992 për kriteret e përllogaritjes së zhdëmtimeve të shpronësimit me Kushtetutën dhe me nenin 6 § 1 të Konventës e nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës. Ato e marrin parasysh vendimin Scordino k. Italisë (nr. 1) ([DhM], nr. 36813/97, GjEDNj 2006‑V) të dhënë nga Dhoma e Madhe e Gjykatës.
24. Në këto vendime, pasi rikujton detyrimin e ligjvënësit për t’i respektuar detyrimet ndërkombëtare (nenin 117 të Kushtetutës), Gjykata Kushtetuese ka përkufizuar vendin që i është dhënë Konventës së të Drejtave të Njeriut në burimet e së drejtës së brendshme, duke shprehur mendimin se kjo e fundit ishte një normë e rangut të ndërmjetëm midis ligjit të zakonshëm dhe Kushtetutës. Përveç kësaj, ajo ka saktësuar se i takonte gjyqtarit të themelit që ta interpretonte normën e brendshme në përputhje me Konventën e të Drejtave të Njeriut dhe me jurisprudencën e Gjykatës (shih vendimin nr. 349, paragrafi 26, pika 6.2, të mësipërm) dhe se, kur një interpretim i tillë dilte i pamundur apo kur ky i fundit kishte dyshime për sa i përket pajtueshmërisë së normës së brendshme me Konventën, ai kishte detyrimin që të shtronte një pyetje kushtetutshmërie para saj.
25. Pjesët përkatëse të vendimit nr. 348 të 24 tetorit 2007 shprehen si vijon:
“4.2. (...) Është e nevojshme të përkufizohen rangu dhe roli i normave të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për të përcaktuar, në dritën e [nenit 117 të Kushtetutës], se cili është ndikimi i tyre mbi rendin juridik italian. (...)
4.3. [Në fakt], nëse nga një anë [këto norma] plotësojnë mbrojtjen e të drejtave themelore dhe japin kështu ndihmesë në vënien në jetë të vlerave dhe parimeve themelore të mbrojtura gjithashtu nga Kushtetuta italiane, nga një anë tjetër, ato mbeten formalisht burime të thjeshta të rangut parësor. (...)
Sot, Gjykatës Kushtetuese i kërkohet pra ta sqarojë pikën normative dhe institucionale [të shtruar këtu më sipër], e cila ka pasoja të rëndësishme praktike për punën e përditshme të operatorëve të së drejtës. (...)
Gjyqtari i zakonshëm nuk ka sesi të vendosë ta mënjanojë një dispozitë të ligjit të zakonshëm, të gjykuar prej tij si e papajtueshme me një normë të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, sepse kjo papajtueshmëri e prezumuar ngre një pikëpyetje kushtetutshmërie që ka të bëjë me shkeljen eventuale të pikës së parë të nenit 117 të Kushtetutës e që i përket [në këtë cilësi] kompetencës ekskluzive të gjyqtarit të ligjeve. (...)
4.5. (...) Parimi i parashtruar në pikën e parë të nenit 117 të Kushtetutës mund të bëhet konkretisht veprues vetëm atëherë kur përcaktohen në mënyrën e duhur “detyrimet ndërkombëtare” shtrënguese për pushtetet legjislative të shtetit dhe të rajoneve. (...)
4.6. [Mirëpo] në krahasim me traktatet e tjera ndërkombëtare, Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut paraqet veçorinë se ajo ka krijuar një organ juridiksioni, Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila ka kompetencë për t’i interpretuar normat e Konventës. Në fakt, neni 32 § 1 [i Konventës] parashikon se “juridiksioni i Gjykatës shtrihet mbi të gjitha ato çështje lidhur me interpretimin e zbatimin e Konventës dhe të protokolleve të saj që do t’i paraqiten asaj sipas kushteve të parashikuara në nenet 33, 34, 46 e 47”.
Meqenëse normat juridike e marrin kuptimin e tyre (vivono) përmes interpretimit që u jepet atyre prej operatorëve të së drejtës, pikësëpari prej gjyqtarëve, nga neni 32 § 1 i Konventës rrjedh natyrshëm se, duke nënshkruar Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe duke e ratifikuar atë, Italia është zotuar në veçanti, në bazë të detyrimeve të saj ndërkombëtare, që t’ua përshtatë legjislacionin e saj normave të Konventës sipas domethënies që u jep atyre Gjykata [Evropiane e të Drejtave të Njeriut], e cila është krijuar me qëllim që t’i interpretojë dhe t’i zbatojë ato. Pra, nuk mund të flitet për një kompetencë juridiksioni e cila iu shtuaka asaj të organeve gjyqësore të shtetit, por më shumë për një funksion të lartë interpretues që shtetet kontraktuese i kanë njohur Gjykatës Evropiane, duke dhënë kështu ndihmesë për të saktësuar detyrimet e tyre ndërkombëtare në këtë fushë.
4.7. Nga kjo nuk duhet të kuptohet që dispozitat e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ashtu siç interpretohen ato nga Gjykata e Strasburgut, paskan vlerë normash kushtetuese dhe që ato i shpëtuakan si të tilla kontrollit të kushtetutshmërisë të ushtruar nga Gjykata Kushtetuese. Pikërisht ngaqë normat në fjalë i plotësojnë parimet kushtetuese, ndonëse duke mbetur të një rangu më të ulët, prandaj është edhe më e nevojshme që ato të jenë në përputhje me Kushtetutën. (...)
Meqenëse, siç u tregua më lart, dispozitat e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut e marrin kuptimin e vet përmes interpretimit që u jep atyre Gjykata Evropiane, kontrolli i kushtetutshmërisë duhet të ushtrohet në lidhje me normat e prodhuara nga ky interpretim dhe jo në lidhje me këto dispozita të vështruara në vetvete. Nga ana tjetër, vendimet e Gjykatës së Strasburgut nuk janë të detyrueshme pa kushte për sa i përket kontrollit të kushtetutshmërisë së ligjeve kombëtare. Kontrolli i sipërpërmendur duhet të kërkojë gjithmonë të vërë në balancë, në njërën anë, detyrimin që rrjedh nga zotimet ndërkombëtare e që caktohet nga pika e parë e nenit 117 të Kushtetutës dhe, në anën tjetër, mbrojtjen e interesave që përfitojnë garanci kushtetuese të njohur nga nene të tjera të Kushtetutës. (...)
5. Nga parimet metodologjike të parashtruara këtu më sipër del se, për të kryer kontrollin e kushtetutshmërisë të kërkuar nga gjykata dërguese, është e udhës të kërkohet të shihet a) nëse ka ndonjë kontradiktë që nuk mund të kapërcehet në rrugë interpretimi ndërmjet dispozitës kombëtare të vënë në pikëpyetje dhe normave të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ashtu siç janë interpretuar ato nga Gjykata Evropiane dhe të vështruara si burime plotësuese të parimit kushtetues të parashtruar në pikën e parë të nenit 117 të Kushtetutës, dhe b) nëse normat e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që mendohet se përfshihen në këtë parim e që kuptohen sipas interpretimit që u jep atyre Gjykata [evropiane] janë të pajtueshme me rendin kushtetues italian. (...)”
26. Pjesët përkatëse të vendimit nr. 349 të 24 tetorit 2007 janë riprodhuar këtu më poshtë:
“6.2 (...) [Parimi i parashtruar] i pikës së parë të nenit 117 të Kushtetutës [nuk nënkupton] që normat e dala nga marrëveshje ndërkombëtare duhet të konsiderohen sikur kanë vlerë kushtetuese sepse këto të fundit bëhen objekt i një ligji të zakonshëm inkorporimi, siç është rasti për normat e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Meqenëse parimi kushtetues nën shqyrtim e detyron ligjvënësin e zakonshëm që t’i respektojë këto norma, një dispozitë kombëtare e cila do të ishte e papajtueshme me një normë të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut – e kështu pra me “zotimet ndërkombëtare” të përmendura në pikën e parë të nenit 117 të Kushtetutës – do ta cenonte në vetvete parimin kushtetues në fjalë. Në fund të fundit, pika e parë e nenit 117 të Kushtetutës shpie tek ajo normë konvencionale që vihet në pikëpyetje në këtë apo atë rast, e cila u jep një kuptim (dà vita) e një përmbajtje detyrimeve ndërkombëtare të përmendura në përgjithësi si edhe parimit [kushtetues që fshihet nën të], aq sa cilësohet përgjithësisht si “normë e ndërmjetme”, dhe e cila bëhet edhe ajo objekt i një kontrolli pajtueshmërie me normat e Kushtetutës, siç do ta saktësojmë këtu më poshtë.
Për rrjedhojë, i përket gjyqtarit të zakonshëm që ta interpretojë normën e brendshme në përputhje me dispozitën ndërkombëtare (...). Kur një interpretim i tillë është i pamundur apo kur ekzistojnë dyshime për sa i përket pajtueshmërisë së normës së brendshme me dispozitën “e ndërmjetme” konvencionale, gjyqtari ka për detyrë të shtrojë përpara Gjykatës Kushtetuese një pyetje kushtetutshmërie në vështrim të pikës së parë të nenit 117 të Kushtetutës (...).
Për sa i përket Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, është me vend që të mbahet parasysh fakti se ajo paraqet një veçori në krahasim me marrëveshjet e tjera ndërkombëtare, sepse e kapërcen kornizën e një liste të thjeshtë të drejtash e detyrimesh të ndërsjella të shteteve kontraktuese. Këto të fundit kanë krijuar një sistem mbrojtjeje të njëtrajtshme të të drejtave themelore. Zbatimi dhe interpretimi i këtij sistemi normash u takojnë natyrisht si detyrë në radhë të parë gjyqtarëve të shteteve anëtare, të cilët janë gjyqtarët e së drejtës së zakonshme të Konventës. Përveç kësaj, zbatimi i njëtrajtshëm i normave në fjalë garantohet në shkallë të fundit nga interpretimi i centralizuar i Konventës Evropiane, detyrë kjo që i është caktuar Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të Strasburgut, së cilës i takon fjala e fundit dhe kompetenca e së cilës “shtrihet mbi të gjitha ato çështje lidhur me interpretimin e zbatimin e Konventës dhe të Protokolleve të saj që do t’i paraqiten asaj sipas kushteve të parashikuara në [këtë të fundit]” (neni 32 § 1 i Konventës). (...)
Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Strasburgut kanë në fund të fundit role të ndryshme, ndonëse ato synojnë si njëra ashtu edhe tjetra t’i mbrojnë sa më mirë të drejtat themelore. Interpretimi i Konventës së Romës dhe i Protokolleve të saj i përket kompetencës së Gjykatës së Strasburgut, çka garanton zbatimin e një niveli të njëtrajtshëm mbrojtjeje në të gjitha shtetet anëtare.
Ndërsa, kur Gjykatës Kushtetuese i kërkohet të shprehet rreth kushtetutshmërisë së një norme kombëtare në vështrim të pikës së parë të nenit 117 të Kushtetutës, [dhe kur ajo pyetje] ka të bëjë me një papajtueshmëri me një ose disa norma të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut e cila nuk mund të zgjidhet në rrugë interpretimi, atëherë i takon asaj të shohë nëse vërtetohet papajtueshmëria në fjalë dhe, [në rast se po], të verifikojë nëse vetë normat e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ashtu siç janë interpretuar ato prej Gjykatës së Strasburgut, e garantojnë një mbrojtje të të drejtave themelore më së paku të barasvlershme me atë të ofruar nga Kushtetuta italiane.
Fjala nuk është në fakt që të gjykohet rreth interpretimit që i jep Gjykata e Strasburgut kësaj apo asaj norme të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (...), por që të verifikohet nëse kjo normë, ashtu siç është interpretuar ajo nga juridiksioni të cilit shtetet anëtare ia kanë caktuar shprehimisht këtë kompetencë, është e pajtueshme me normat përkatëse të Kushtetutës. Kështu, detyra për të garantuar respektimin e detyrimeve ndërkombëtare, e përcaktuar nga Kushtetuta, vihet me korrektësi në baraspeshë me nevojën për të shmangur që kjo detyrë të cenojë vetë Kushtetutën.”
G. Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese
1. Urdhri i Gjykatës Kushtetuese nr. 396 i 24 tetorit 2006
27. Me këtë urdhër, Gjykata Kushtetuese e shpalli të papranueshme një pyetje për kushtetutshmëri të shtruar nga Gjykata e Kaljarit lidhur me nenin 13 të Ligjit nr. 40/2004, i cili e ndalon diagnostikimin para mbjelljes.
28. Për t’u shprehur kështu, Gjykata Kushtetuese vuri në dukje se gjyqtari dërgues ishte kufizuar duke e shtruar pyetjen rreth kushtetutshmërisë vetëm për nenin 13 të Ligjit nr. 40/2004 ndërkohë që, sipas përmbajtjes së dërgesës, ndalimi i diagnostikimit para mbjelljes rridhte gjithashtu nga dispozita të tjera të të njëjtit ligj, sidomos nga pika 3 e nenit 14 të tij.
2. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 151 i 1 prillit 2009
29. Ky vendim ka të bëjë me kushtetutshmërinë e dispozitave të pikave 2 dhe 3 të nenit 14 të Ligjit nr. 40/2004 të cilat parashikojnë, nga njëra anë, krijimin e një numri të kufizuar embrionesh (jo më të madh se tre) dhe detyrimin për t’i mbjellë ato njëkohësisht, si edhe, nga ana tjetër, ndalimin për t’i kriokonservuar embrionet e tepërta.
30. Gjykata Kushtetuese gjykoi se pikat në fjalë ishin jokushtetuese sepse ato e dëmtonin shëndetin e grave duke i detyruar ato, në njërën anë, t’u nënshtroheshin disa cikleve stimulimi vezor dhe, në anën tjetër, t’u ekspozoheshin rreziqeve të lidhura me shtatzëni të shumëfishta për shkak të ndalimit të ndërprerjes me përzgjedhje të shtatzënisë.
31. Në tekstin e vendimit, nuk është bërë asnjë referim ndaj Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila nuk ishte përmendur as nga juridiksionet (Gjykata Administrative Rajonale e Lacios dhe Gjykata e Firences) që e kishin shtruar pyetjen.
3. Urdhri i Gjykatës Kushtetuese nr. 97 i 8 marsit 2010
32. Me këtë urdhër, Gjykata Kushtetuese i shpalli të papranueshme pyetjet për kushtetutshmëri që kishte shtruar para saj Gjykata e Milanos, meqenëse ato ishin trajtuar tashmë në vendimin e saj nr. 151/2009.
4. Urdhri i Gjykatës Kushtetuese nr. 150 i 22 majit 2012
33. Me këtë urdhër, i cili i referohej vendimit S.H. me të tjerë k. Austrisë ([DhM], nr. 57813/00, GjEDNj 2011), Gjykata Kushtetuese e ktheu përpara gjyqtarit të themelit çështjen që ishte çuar përpara saj e që kishte të bënte me ndalimin e përdorimit të fekondimit heterolog të përcaktuar nga Ligji nr. 40/2004.
5. Urdhri i Gjykatës Kushtetuese nr. 162 i 10 qershorit 2014
34. Ky vendim ka të bëjë me kushtetutshmërinë e ndalimit absolut për t’iu qasur fekondimit heterolog në rast shterpësie ose papjellshmërie të provuar në mënyrë mjekësore, ashtu siç e parashikon Ligji nr. 40/2004.
35. Tre juridiksione të së drejtës së zakonshme i ishin drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pyetjen nëse ligji i kundërshtuar ishte i pajtueshëm me nenet 2 (të drejtat e pashkelshme), 3 (parimi i barazisë), 29 (e drejta e familjes), 31 (detyrimet e shtetit për mbrojtjen e së drejtës së familjes) dhe 32 (e drejta për shëndetin) të Kushtetutës. Një prej tyre, Gjykata e Milanos, i kishte kërkuar gjithashtu Gjykatës që të shprehej rreth pajtueshmërisë së ligjit në fjalë me nenet 8 dhe 14 të Konventës.
36. Gjykata Kushtetuese i gjykoi jokushtetuese dispozitat përkatëse legjislative.
37. Ajo qe në veçanti e mendimit se zgjedhja e paditësve në gjykim për t’u bërë prindër e për të themeluar një familje me fëmijë i përkiste lirisë së tyre për vetëvendosje lidhur me sferën e jetës së tyre private dhe familjare dhe të mbrojtur si të tillë nga nenet 2, 3 e 31 të Kushtetutës. Ajo saktësoi gjithashtu se ata që ishin të prekur nga papjellshmëria ose nga shterpësia e plotë ishin zotërues të një të drejte për mbrojtjen e shëndetit të tyre (neni 32 i Kushtetutës).
38. Ajo çmoi se sado që të drejtat në fjalë mund të bëheshin objekt kufizimesh të frymëzuara nga konsiderata të rendit etik, këto kufizime nuk mund të përktheheshin në një ndalim absolut, me përjashtim të rastit në qoftë se dilte e pamundur që të mbroheshin në një mënyrë tjetër disa liri të tjera të garantuara me kushtetutë.
39. Për sa i përket pajtueshmërisë së dispozitave legjislative në fjalë me nenet 8 e 14 të Konventës, Gjykata Kushtetuese u mjaftua të vërente se pyetjet lidhur me të mbuloheshin nga përfundimet ku kishte dalë ajo rreth kushtetutshmërisë së dispozitave në fjalë (shih këtu më sipër).
H. Urdhrat e gjykatave kombëtare në fushën e qasjes te diagnostikimi para mbjelljes
1. Urdhri i Gjykatës së Kaljarit i 22 shtatorit 2007
40. Në këtë urdhër, Gjykata e Kaljarit rikujtoi që paditësit kishin paraqitur fillimisht një kërkesë për procedurë urgjente, në kuadër të së cilës ishte shtruar një pyetje kushtetutshmërie. Ajo shtoi se kjo pyetje ishte shpallur pastaj e papranueshme me urdhrin nr. 396 të Gjykatës Kushtetuese të dhënë më 24 tetor 2006 (shih paragrafët 27-28 të mësipërm), dhe se ky urdhër nuk kishte dhënë asnjë këshillë për sa i përkiste interpretimit që ishte e udhës t’i jepej së drejtës së brendshme në dritën e Kushtetutës.
41. Për sa i përket procedurës civile të nisur para saj, ajo vuri në dukje se në të drejtën e brendshme nuk ekzistonte ndonjë ndalim i shprehur për qasje te diagnostikimi para mbjelljes dhe se një interpretim i ligjit që nxirrte si përfundim ekzistencën e një ndalimi të tillë do të kishte qenë në kundërshtim me të drejtën e paditësve për t’u informuar siç duhet për trajtimin mjekësor që kishin ndër mend të ndërmerrnin.
42. Përveç kësaj, ajo shënoi se ndalimet për t’iu drejtuar diagnostikimit para mbjelljes ishin futur më vonë me anë të një norme të rangut dytësor, konkretisht me dekretin e Ministrisë së Shëndetësisë nr. 15165 të 21 korrikut 2004 (veçanërisht në pjesën ku ky i fundit përcakton se “ekzaminime[t] e gjendjes shëndetësore të embrioneve të krijuara in vitro, në kuptimin e nenit 14, pika 5 [të Ligjit nr. 40 të vitit 2004], mund të synojnë vetëm vëzhgimin e këtyre të fundit – “dovrà essere di tipo osservazionale”). Ajo çmoi se kjo ishte në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë si edhe me “Konventën e Oviedos” të Këshillit të Evropës.
43. Ajo vuri në dukje së fundi se një interpretim i Ligjit nr. 40/2004 që e lejonte qasjen te diagnostikimi para mbjelljes ishte në përputhje me të drejtën për shëndetin që i njihej nënës. Për rrjedhojë, ajo i lejoi paditësit që të kishin qasje te diagnostikimi para mbjelljes.
2. Urdhri i Gjykatës së Firences i 17 dhjetorit 2007
44. Në këtë urdhër, Gjykata e Firences iu referua urdhrit të Gjykatës së Kaljarit të cituar më sipër dhe deklaroi se pajtohej me interpretimin që kjo e fundit i kishte bërë së drejtës së brendshme. Për rrjedhojë, ajo i lejoi paditësit që të kishin qasje te diagnostikimi para mbjelljes.
3. Urdhri i Gjykatës së Bolonjës i 29 qershorit 2009
45. Me anë të këtij urdhri, Gjykata e Bolonjës i lejoi paditësit që të kishin qasje te diagnostikimi para mbjelljes, duke vënë në dukje se kjo praktikë pajtohej me mbrojtjen e shëndetit të gruas të pranuar nga interpretimi që i kishte bërë të drejtës së brendshme Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj nr. 151 të 1 prillit 2009 (shih paragrafët 29-31 të mësipërm).
4. Urdhri i Gjykatës së Salernos i 9 janarit 2010
46. Në këtë urdhër, të dhënë në përfundim të një procedure për kërkesë të ngutshme, Gjykata e Salernos rikujtoi risitë e vendosura me anë të dekretit të Ministrisë së Shëndetësisë nr. 31639 të 11 prillit 2008, konkretisht faktin që ekzaminimet e gjendjes shëndetësore të embrioneve të krijuara in vitro nuk kufizoheshin më vetëm me vëzhgimin e këtyre të fundit dhe që qasja te riprodhimi me ndihmë mjekësore lejohej për ato çifte ku burri ishte bartës sëmundjesh virale të transmetueshme në rrugë seksuale.
47. Ajo nxori këndej si përfundim se diagnostikimi para mbjelljes mund të konsiderohej vetëm si një nga teknikat mbikëqyrëse të paralindjes e cila synonte të njihte gjendjen shëndetësore të embrionit.
48. Për rrjedhojë, ajo e lejoi realizimin e një diagnostikimi para mbjelljes mbi embrionin in vitro të paditësve.
5. Urdhri i Gjykatës së Kaljarit i 9 nëntorit 2012
49. Në këtë urdhër, Gjykata e Kaljarit iu referua konsideratave të shtjelluara në urdhrat e cituar këtu më sipër. Përveç kësaj, ajo vuri në dukje se nga vendimet nr. 348 dhe 349 të dhënë nga Gjykata Kushtetuese më 24 tetor 2007 dilte që një interpretim i ligjit i cili synonte të garantonte qasjen te diagnostikimi para mbjelljes pajtohej me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke pasur parasysh sidomos vendimin e dhënë nga Gjykata e Strasburgut në çështjen Costa e Pavan k. Italisë (nr. 54270/10, 28 gusht 2012).
6. Urdhri i Gjykatës së Romës i 15 janarit 2014
50. Me anë të këtij urdhri, gjykata shtroi pyetjen rreth kushtetutshmërisë së neneve 1, pikat 1 e 2, dhe 4, pika 1 të Ligjit nr. 40/2004, dispozita që ua ndalonin çifteve të cilat nuk ishin as të shterpëta, as jopjellore, që t’u drejtoheshin teknikave të riprodhimit me ndihmë mjekësore për të realizuar një diagnostikim para mbjelljes. Ajo u vendos kështu në terrenin e neneve 8 dhe 14 të Konventës.
51. Duke pasur parasysh vendimin Costa e Pavan k. Italisë (të cituar më lart), ajo çmoi që nuk mund të bëhej një interpretim ekstensiv i ligjit, i cili përcaktonte shprehimisht se qasja e teknikat e riprodhimit me ndihmë mjekësore rezervohej vetëm për çiftet shterpëta ose jopjellore.
I. Pyetja rreth kushtetutshmërisë së nenit 13 të Ligjit nr. 40/2004 e shtruar nga Gjykata e Firences
52. Me anë të një vendimi të datës 7 dhjetor 2012, Gjykata e Firences shtroi pyetjen rreth kushtetutshmërisë së ndalimit të dhurimit të embrioneve të tepërta për kërkimin shkencor, që rridhte nga neni 13 i Ligjit nr. 40/2004, në vështrim të neneve 9 dhe 32 të Kushtetutës, të cilët garantojnë përkatësisht lirinë e kërkimit shkencor dhe të drejtën për shëndetin.
53. Më 19 mars 2014, kryetari i Gjykatës Kushtetuese e ka shtyrë për më vonë shqyrtimin e kësaj çështjeje në pritje të vendimit që Dhoma e Madhe do të marrë rreth kërkesëpadisë Parrillo k. Italisë nr. 46470/11.
III. DOKUMENTE TË KËSHILLIT TË EVROPËS
A. Rekomandimi 1046 (1986) i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës lidhur me përdorimin e embrioneve dhe të fetuseve njerëzore për qëllime diagnostike, terapeutike, shkencore, industriale dhe tregtare
“(...) 6. [Asambleja Parlamentare] E vetëdijshme se progres[i] [i shkencës dhe i teknologjisë mjekësore] e ka bërë veçanërisht të brishtë gjendjen juridike të embrionit dhe të fetusit, dhe se statusi i tyre juridik sot nuk është i përcaktuar me ligj;
7. E vetëdijshme se nuk ekzistojnë dispozita të përshtatshme që e rregullojnë përdorimin e e embrioneve dhe të fetuseve të gjallë ose të vdekur;
8. E bindur se, përballë progresit shkencor i cili jep mundësi për të ndërhyrë qysh në fekondim mbi jetën njerëzore në zhvillim, është urgjente që të përcaktohet shkalla e mbrojtjes së saj juridike;
9. Duke pasur parasysh pluralizmin e mendimeve që shprehen në rrafshin etik lidhur me përdorimin e embrioneve ose të fetuseve, ose të indeve të tyre, si edhe përplasjen e vlerave që shkakton ai;
10. Duke pasur parasysh se embrioni dhe fetusi njerëzor duhet të përfitojnë në çfarëdo rrethane po atë respekt që duhet të tregohet për dinjitetin njerëzor, dhe se përdorimi i produkteve dhe i indeve të tyre duhet të jetë i kufizuar në mënyrë të rreptë e të përcaktuar sipas rregullave (...) për qëllime të kulluara terapeutike e që nuk mund të arrihen me mjete të tjera; (...)
13. Duke theksuar nevojën e një bashkëpunimi evropian,
14. I rekomandon Komitetit të Ministrave:
A. t’i ftojë qeveritë e shteteve anëtare:
(...)
ii. ta kufizojnë përdorimin industrial të embrioneve dhe të fetuseve njerëzore, si edhe të produkteve dhe të indeve të tyre, për qëllime rreptësisht terapeutike e që nuk arrihen dot me mjete të tjera, sipas parimeve të përmendura në aneks, dhe ta përshtatin të drejtën e tyre në përputhje me këto të fundit, ose të miratojnë rregulla të përshtatur, rregulla këto që duhet sidomos të përcaktojnë kushtet në të cilat mund të bëhet marrja e përdorimi për një qëllim diagnostik e terapeutik;
iii. të ndalojnë çdo krijim embrionesh me anë fekondimi in vitro për qëllime kërkimore sa janë gjallë ose pas vdekjes së tyre;
iv. të ndalojnë gjithçka që mund të përkufizohet si përpunim ose devijim i padëshirueshëm i këtyre teknikave, ndër të tjera:
(...)
- hulumtimin mbi embrione njerëzore me shanse për sukses;
- eksperimentimin mbi embrione të gjalla, me shanse për sukses ose jo (...)”
B. Rekomandimi 1100 (1989) i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për përdorimin e embrioneve dhe të fetuseve njerëzore në kërkimin shkencor
“(...) 7. Duke pasur parasysh se embrioni njerëzor, ndonëse zhvillohet në faza të njëpasnjëshme të përcaktuara me emërtime të ndryshme (...), shfaq gjithashtu një diferencim progresiv të organizmit të tij dhe e ruan megjithatë në vazhdimësi identitetin e tij biologjik e gjenetik,
8. Duke rikujtuar nevojën e një bashkëpunimi evropian dhe të një rregulloreje sa më të gjerë, që japin mundësi për t’i kapërcyer kontradiktat, rreziqet dhe paefektshmërinë e parashikueshme të normave ekskluzivisht kombëtare në fushat për të cilat bëhet fjalë,
(...)
21. Krijimi dhe/ose mbajtja e qëllimshme në jetë e embrioneve ose fetuseve, in vitro apo in utero, me qëllim hulumtimi shkencor, për shembull për të marrë prej tyre material gjenetik, qeliza, inde ose organe, duhet të jenë të ndaluar. (...)”
54. Pjesët përkatëse të aneksit të këtij rekomandimi shprehen kështu:
“B. Rreth embrioneve të gjalla para mbjelljes: (...)
4. Në përputhje me Rekomandimet 934 (1982) dhe 1046 (1986), kërkimet in vitro mbi embrionet me shanse për sukses nuk duhet të lejohen përveçse:
– kur fjala është për kërkime të zbatuara me natyrë diagnostike ose të kryera për qëllime parandaluese ose terapeutike;
– kur ato nuk ndërhyjnë në trashëgiminë e tyre gjenetike jo patologjike.
5. (...) kërkimet mbi embrionet e gjalla duhet të jenë të ndaluara, sidomos:
– nëse embrioni është me shanse për sukses;
– nëse ka mundësi për të përdorur një model shtazor;
– nëse kjo nuk parashikohet në kuadër projektesh të paraqitura dhe të lejuara në trajtën e duhur nga autoritetet kompetente shëndetësore ose shkencore ose, përmes delegimit, nga komisioni kombëtar shumëdisiplinor përkatës;
– nëse ato nuk i respektojnë afatet e përcaktuara nga autoritetet e lartpërmendura.
(...)
H. Dhurimi i elementeve të materialit embrional njerëzor: (...)
20. Dhurimi i elementeve të materialit embrional njerëzor duhet të lejohet vetëm në qoftë se ai ka për qëllim kërkimin shkencor, për synime diagnostike, paarandaluese ose terapeutike. Shitblerja e tij do të jetë e ndaluar.
21. Krijimi dhe/ose mbajtja e qëllimshme në jetë e embrioneve ose fetuseve, in vitro apo in utero, me qëllim hulumtimi shkencor, për shembull për të marrë prej tyre material gjenetik, qeliza, inde ose organe, duhet të jenë të ndaluar.
22. Dhurimi dhe përdorimi i elementeve të materialit embrional njerëzor duhet të lejohen vetëm në qoftë se prindërit e kanë dhënë lirisht dhe me shkrim pëlqimin e tyre paraprak.
23. Dhurimi i organeve duhet të jetë i zhveshur nga çdolloj karakteri tregtar. Blerja dhe shitja e embrioneve, e fetuseve ose e komponentëve të tyre nga ana e prindërve ose e të tretëve, ashtu si edhe importimi ose eksportimi i tyre, duhet të jenë gjithashtu të ndaluara.
24. Dhurimi dhe përdorimi i materialeve embrionale njerëzore në prodhimin e armëve biologjike të rrezikshme dhe shfarosëse duhet të jenë të ndaluar.
25. Për të gjithë këtë rekomandim, cilësimi “me shanse për sukses” nënkupton ato embrione që nuk paraqesin karakteristika biologjike të cilat mund ta pengojnë zhvillimin e tyre; nga ana tjetër, mungesa e shanseve për sukses të embrioneve dhe të fetuseve njerëzore do të duhet të përcaktohet ekskluzivisht përmes kriteresh biologjike objektive, të bazuara te të metat vetjake të embrionit.”
C. Konventa e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut dhe Biomjekësinë (“Konventa e Oviedos”) e 4 prillit 1997
Neni 2 – Përparësia e qenies njerëzore
“Interesi dhe mirëqenia e qenies njerëzore duhet të kenë epërsi mbi interesin e vetëm të shoqërisë ose të shkencës.”
Neni 18 – Kërkimi mbi embrionet in vitro
“1. Kur kërkimi mbi embrionet in vitro lejohet me ligj, ky i fundit siguron një mbrojtje të përshtatshme të embrionit.
2. Krijimi i embrioneve njerëzore për qëllime kërkimore është i ndaluar.”
Neni 27 – Mbrojtja më e gjerë
“Asnjë nga dispozitat e kësaj Konvente nuk do të interpretohet sikur e kufizon ose e cenon zotësinë e çdo Pale për t’u dhënë zbatimeve të biologjisë e të mjekësisë një mbrojtje më të gjerë sesa ajo e parashikuar nga kjo Konventë.”
D. Protokolli shtesë i Konventës së Oviedos, lidhur me kërkimin biomjekësor, i 25 janarit 2005
Neni 2 – Fusha e zbatimit
“1. Ky Protokoll zbatohet për të gjitha veprimtaritë kërkimore në fushën e shëndetësisë të cilat nënkuptojnë një ndërhyrje mbi qenien njerëzore.
2. Protokolli nuk zbatohet për kërkimin mbi embrionet in vitro. Ai zbatohet për kërkimin mbi fetuset dhe embrionet in vivo.
(...)”
E. Raporti i Grupit të Punës për Mbrojtjen e Embrionit dhe të Fetusit Njerëzor të Komitetit Drejtues për Bioetikën, i bërë publik më 19 qershor 2003 – Konkluzion
“Ky raport ka për qëllim të paraqesë një vështrim tërësor të qëndrimeve të tanishme në Evropë rreth mbrojtjes së embrionit njerëzor in vitro si edhe të argumenteve ku ato bazohen.
Ai tregon një konsensus të gjerë rreth nevojës për një mbrojtje të embrionit in vitro. Megjithatë, përkufizimi i statusit të embrionit mbetet një fushë ku ndeshen dallime themelore që mbështeten mbi argumente të fuqishme. Këto divergjenca janë, në një masë të gjerë, në zanafillë të atyre të ndeshura rreth pikave që kanë të bëjnë me mbrojtjen e embrionit in vitro.
Sidoqoftë, edhe në mungesë të ndonjë marrëveshjeje rreth statusit të embrionit, mund të parashikohet mundësia që disa pika të rishqyrtohen në dritën e zhvillimeve të fundit në fushën biomjekësore dhe të përparimeve terapeutike potenciale. Në këtë kontekst, ndonëse duke i pranuar e respektuar zgjedhjet themelore të vendeve të ndryshme, duket e mundshme dhe e dëshirueshme – në vështrim të nevojës së pranuar nga të gjitha vendet për ta mbrojtur embrionin in vitro – që të identifikohen disa qasje të përbashkëta me qëllim që të sigurohen kushte të përshtatshme zbatimi të procedurave që nënkuptojnë krijimin dhe përdorimin e embrioneve in vitro. Ky raport kërkon të jetë një ndihmë për reflektimin drejt këtij objektivi.”
F. Rezoluta 1352 (2003) e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës lidhur me kërkimin rreth qelizave staminale njerëzore
“(...) 3. Qelizat staminale njerëzore mund të jenë me prejardhje nga një numër në rritje indesh e lëngjesh të pranishme në trupin e qenieve njerëzore të të gjitha moshave, dhe jo vetëm nga burime embrionale.
(...)
5. Marrja e qelizave staminale embrionale nënkupton tani për tani shkatërrimin e embrioneve njerëzore.
(...)
7. Asambleja vënë dukje se në botë janë tashmë të disponueshme shumë vargje qelizash staminale embrionale njerëzore që mund të shërbejnë për kërkimin shkencor.
(...)
10. Shkatërrimi i qenieve njerëzore për qëllime kërkimore është në kundërshtim me të drejtën e çdo qenieje njerëzore për jetën dhe për ndalimin moral të çdolloj instrumentalizimi të qenies njerëzore.
11. Për rrjedhojë, Asambleja i fton shtete anëtare:
i. ta favorizojnë kërkimin rreth qelizave staminale me kusht që ai ta respektojë jetën e qenieve njerëzore në të gjitha stadet e zhvillimit të tyre;
ii. t’i inkurajojnë ato teknika shkencore që nuk kundërshtohen nga pikëpamjet shoqërore dhe etike me qëllim që të përfitohet sa më shumë nga pluripotenca qelizore dhe të përpunohen metoda të reja mjekësie rigjeneruese;
iii. ta nënshkruajnë dhe ta ratifikojnë Konventën e Oviedos për ta bërë efektiv ndalimin e krijimit të embrioneve njerëzore për qëllime kërkimore;
iv. të nxisin programe kërkimore themelore të përbashkëta evropiane lidhur me qelizat staminale të rritura;
v. të garantojnë që, në vendet ku lejohen kërkime të tilla, çdolloj kërkimi rreth qelizave staminale që nënkupton shkatërrimin e embrioneve njerëzore lejohet e mbikëqyret në mënyrën e duhur nga instancat e duhura kombëtare;
vi. t’i respektojnë vendimet e vendeve kur këta të fundit zgjedhin që të mos marrin pjesë në programe ndërkombëtare kërkimi të cilat bien në kundërshtim me vlerat etike të sanksionuara nga legjislacioni i tyre kombëtar dhe të mos presin që këto vende të japin ndihmesë drejtpërdrejt apo tërthorazi për këto kërkime;
vii. të privilegjojnë më shumë etikën e kërkimit sesa aspektet thjesht utilitare e financiare;
viii. të nxisin krijimin e strukturave që u japin mundësi shkencëtarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile për të shqyrtuar lloje të ndryshme projektesh kërkimore rreth qelizave staminale njerëzore, me qëllim që të rriten transparenca dhe përgjegjësia demokratike.”
G. Rekomandimi i Komitetit të Ministrave për shtetet anëtare lidhur me kërkimin që përdor material biologjik me prejardhje njerëzore (Rec (2006)4, i miratuar nga Komiteti i Ministrave më 15 mars 2006)
55. Ky rekomandim, që nuk zbatohet për materialet biologjike embrionale dhe fetale (article 2 § 3), ka për qëllim të mbrojë të drejtat themelore të personave materiali biologjik i të cilëve mund të përfshihet në një projekt kërkimor pasi është mbledhur e ruajtur i) për një projekt kërkimi shkencor më të hershëm sesa miratimi i rekomandimit, ii) për kërkime të ardhshme të paspecifikuara ose iii) si material mbeturinor i marrë fillimisht për qëllime klinike ose mjekoligjore. Ky rekomandim synon, ndër të tjera, të nxisë hartimin e kodeve të praktikave të mira nga ana e shteteve anëtare dhe të zvogëlojë në minimum rreziqet e lidhura me veprimtaritë kërkimore që kanë të bëjnë me jetën private të personave. Ai vendos gjithashtu rregulla që përcaktojnë marrjen dhe grumbullimet e materialit biologjik.
H. “Etika në shkencë dhe teknologji”, Rezoluta 1934 (2013) e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës
“2. ...) Asambleja çmon se në rrafshin kombëtar, mbirajonal e botëror duhet të zhvillohet një reflektim etik më i bashkërenduar rreth objektivave dhe përdorimeve të shkencës e të teknologjisë, rreth instrumenteve dhe metodave që përdorin ato, rreth pasojave dhe efekteve të tërthorta të tyre të mundshme, si edhe rreth sistemit global të rregullave dhe të sjelljeve ku përfshihen ato.
3. Asambleja ka mendimin se një strukturë e përhershme reflektimi etik në rrafsh botëror do të jepte mundësi për t’i trajtuar çështjet etike si një “objektiv të lëvizshëm”, në vend që të caktohet një “kod etik”, dhe për t’i rrafshuar përsëri, në mënyrë periodike, konceptet në fuqi, edhe ato më themelore, si përkufizimi i “identitetit njerëzor” apo i “dinjitetit njerëzor”.
4 Asambleja përshëndet nismën e UNESKO-s e cila ka krijuar Komisionin Botëror për Etikë të Njohurive Shkencore dhe të Teknologjive (COMEST) me qëllim që të niset një reflektim i përhershëm etik dhe të studiohen mundësitë për hartim e rishikim periodik të një tërësie parimesh etike themelore të mbështetura te Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut. Ajo është e mendimit se Këshilli i Evropës duhet të japë ndihmesë në këtë proces.
5. Për këtë qëllim, Asambleja i rekomandon Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës që të parashikojë krijimin e një strukture të zhdërvjelltë e joformale reflektimi etik, nëpërmjet një bashkëpunimi midis komisioneve kompetente të Asamblesë dhe pjesëtarëve të komiteteve përkatëse të ekspertëve, mes të cilave Komitetit për Bioetikë (DH-BIO), me qëllim që të identifikohen ato sfida të reja etike dhe ato parime etike themelore që mund ta orientojnë aksionin politik e juridik në Evropë.
6. Për ta përforcuar kornizën e përbashkët evropiane për etikë në shkencë e teknologji, Asambleja u rekomandon atyre shteteve anëtare të cilat nuk e kanë bërë ende që ta nënshkruajnë e ta ratifikojnë Konventën për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Dinjitetit të Qenies Njerëzore ndaj Zbatimeve të Biologjisë e të Mjekësisë: Konventën për të Drejtat e Njeriut dhe Biomjekësinë (STE nr. 164, “Konventa e Oviedos”) dhe protokollet e saj, e që të marrin pjesë plotësisht në punimet e Komitetit për Bioetikë.
(...)
10. Asambleja i fton Bashkimin Evropian dhe UNESKO-n të bashkëpunojnë me Këshillin e Evropës për ta përforcuar kornizën e përbashkët evropiane për etikë në shkencë e në teknologji dhe, për këtë qëllim:
10.1. të krijojnë platforma evropiane dhe rajonale që mundësojnë të shkëmbehen rregullisht përvoja dhe praktika të mira të cilat i përfshijnë të gjitha fushat e shkencës e të teknologjisë, duke përdorur përvojën e fituar në kuadër të Konferencës Evropiane të Komiteteve Kombëtare për Etikë (COMETH) të iniciuar nga Këshilli i Evropës e, më së fundmi, të Forumit të Komiteteve Kombëtare për Etikë (Forumi i KKE-ve) të financuar nga Komisioni Evropian, si edhe të mbledhjeve të Komitetit për Bioetikë të Këshillit të Evropës;
10.2. të hartojnë e të rishikojnë në mënyrë periodike një tërësi parimesh etike themelore që duhet të zbatohen në të gjitha fushat e shkencës e të teknologjisë;
10.3. të propozojnë orientime shtesë për t’i ndihmuar shtetet anëtare që t’i harmonizojnë rregullat etike dhe procedurat e monitorimit, duke u mbështetur tek efektet pozitive të kërkesave etike të parashtruara në Programin e Shtatë Kornizë të Komisionit Evropian për Kërkim e Zhvillim Teknologjik (2007-2013) (FP7).”
IV. E DREJTA DHE ELEMENTE PËRKATËSE TË BASHKIMIT EVROPIAN
A. Grupi Evropian për Etikë të Shkencave dhe të Teknologjive të Reja (GEE) pranë Komisionit Evropian
56. I krijuar më 1991 nga Komisioni Evropian, GEE-ja është një organizëm i pavarur i përbërë nga ekspertë të cilët kanë për mision që t’i paraqesin Komisionit Evropian mendime rreth çështjeve etike të lidhura me shkencën e me teknologjitë e reja. GEE-ja ka dhënë dy mendime lidhur me përdorimin e embrioneve in vitro për qëllime kërkimore.
1. Mendimi nr. 12: Aspekte etike të kërkimit që përfshin përdorimin e embrioneve njerëzore në kontekstin e Programit V Kornizë të Kërkimit, 14 nëntor 1998
57. Ky mendim është bërë botuar me kërkesën e Komisionit Evropian pas propozimit të Parlamentit Evropian për t’i përjashtuar nga financimet evropiane ato projekte kërkimore që nënkuptojnë shkatërrimin e embrioneve njerëzore në kuadrin e Programit të Pestë Kornizë. Pjesët e tij përkatëse shprehen si vijon:
“(...) 2.6. (...) Në kuadrin e programeve kërkimore evropiane, çështja e kërkimeve mbi embrionin njerëzor duhet të shqyrtohet si nga pikëpamja e respektimit të parimeve etike themelore të përbashkëta për të gjitha shtetet anëtare ashtu edhe duke pasur parasysh larminë e koncepteve filozofike dhe etike të shprehura përmes praktikave dhe rregulloreve të ndryshme kombëtare ne fuqi në këtë fushë. (...)
2.8. Në dritën e parimeve dhe saktësimeve të përmendura më parë, Grupi çmon se është në përputhje me përmasën etike të Programit të Pestë Kuadër Komunitar që të mos përjashtohen a priori nga financimet komunitare ato kërkime mbi embrionin njerëzor të cilat janë objekt zgjedhjesh etike divergjente sipas vendeve. [...]”
2. Mendimi nr. 15: Aspekte etike të kërkimit mbi qelizat staminale njerëzore dhe përdorimin e tyre, 14 nëntor 2000
58. Pjesët përkatëse të këtij mendimi janë të formuluara kështu:
“2.3. Pluralizmi dhe etika evropiane
(...) Në kontekstin e pluralizmit evropian, i takon secilit shtet anëtar që t’i ndalojë ose t’i lejojë kërkimet mbi embrionin. Në këtë rast të fundit, respektimi i dinjitetit njerëzor nënkupton që të përcaktohen rregulla për kërkimet mbi embrionin e që të parashikohen disa garanci kundër rrezikut për eksperimentim arbitrar e për instrumentalizim të embrionit njerëzor.
2.5. Pranueshmëria etike e fushës së interesuar kërkimore
Grupi vë re se, në disa vende, kërkimet mbi embrionin janë të ndaluara. Nga ana tjetër, në vendet ku ato lejohen për të përmirësuar trajtimin e papjellshmërisë, është e vështirë të gjendet ndonjë argument për t’u sjellë për një zgjerim të fushës së këtyre kërkimeve me synim që të përpunohen trajtime të reja kundër sëmundjeve ose dëmtimeve të rënda. Në fakt, ashtu si në rastin e kërkimit rreth papjellshmërisë, kërkimi rreth qelizave staminale synon që të lehtësojë vuajtjen njerëzore. Në të gjitha rastet, embrionet që kanë shërbyer për punime kërkimore janë të destinuara të shkatërrohen. Për pasojë, nuk ka argument për ta përjashtuar financimin e këtij lloji kërkimesh në lidhje me Programin Kornizë për kërkim të Bashkimit Evropian në qoftë se ato i përmbushin kërkesat etike dhe ligjore të përcaktuara në këtë program.”
B. Rregullorja nr. 1394/2007 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e 13 nëntorit 2007 lidhur me barnat për terapi novatore dhe që ndryshon Direktivën 2001/83/KE si edhe Rregulloren (KE) nr. 726/2004
“(7) Ka rëndësi që rregullorja e barnave për terapi novatore në rrafshin komunitar të mos i cenojë vendimet e marra nga shtetet anëtare lidhur me mundësinë për të lejuar përdorimin e këtij apo atij lloji qelizash njerëzore, për shembull qelizat staminale embrionale, apo qelizash shtazore. Është e udhës që ajo të mos ndikojë as mbi zbatimin e legjislacioneve kombëtare që e ndalojnë apo e kufizojnë shitjen, shpërndarjen ose përdorimin e barnave që përmbajnë qeliza të tilla a që përbëhen apo janë nxjerrë prej këtyre të fundit.”
C. Vendimi i Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian i datës 18 tetor 2011 (C-34/10 Oliver Brüstle k. Greenpeace eV)
59. Me këtë vendim, të dhënë mbi bazën e dërgesës paragjykimore të Gjykatës Federale të Drejtësisë (Bundesgerichtshof) gjermane, Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian është shprehur rreth interpretimit që duhet t’i jepet Direktivës 98/44/KE të Parlamentit Evropian e të Këshillit të 6 korrikut 1998 lidhur me mbrojtjen juridike të shpikjeve bioteknologjike.
60. Pjesa e direktivës e cila vihej në pikëpyetje ishte ajo që, duke e zbutur parimin se përdorimi i embrioneve njerëzore për qëllime industriale ose tregtare nuk mund të patentohet, saktëson se ky përjashtim nuk ka të bëjë me “shpikjet me qëllim terapeutik ose diagnostikues të cilat zbatohen tek embrioni njerëzor dhe janë të dobishme për të”.
61. Gjykata e Drejtësisë ka saktësuar se direktiva objekt mosmarrëveshjeje nuk ka për synim të përcaktojë rregullat e përdorimit të embrioneve njerëzore në kuadrin e kërkimeve shkencore: objekti i saj kufizohet te mundësia e patentimit të shpikjeve bioteknologjike. Ajo ka çmuar pastaj se shpikjet që përfshijnë përdorimin e embrioneve njerëzore mbeten të përjashtuara nga çdolloj mundësie patentimi edhe kur ato mund të pretendojnë se janë bërë për qëllim kërkimi shkencor (meqenëse një qëllim i tillë është e pamundur që, në fushën e patentave, të dallohet nga qëllimet e tjera industriale dhe tregtare). Gjykata e Drejtësisë ka vënë në dukje në të njëjtën kohë se ato shpikje të cilat nënkuptojnë një përdorim për qëllime terapeutike ose diagnostikuese të zbatueshëm tek embrioni njerëzor e të dobishëm për këtë të fundit nuk preken prej këtij përjashtimi.
D. Financimet e Bashkimit Evropian për kërkim e zhvillim teknologjik
62. Që prej vitit 1984, Bashkimi Evropian shpalos fonde për kërkimin shkencor përmes programesh kornizë që mbulojnë periudha të cilat shtrihen në disa vite.
63. Pjesët përkatëse të Vendimit nr. 1982/2006/KE lidhur me Programin e Shtatë Kornizë të Komunitetit Evropian për Veprimtari Kërkimi, Zhvillimi Teknologjik e Demonstrimi (2007-2013) shprehen si vijon:
Neni 6 – Parime etike
“1. Të gjitha veprimtaritë kërkimore që kryhen në lidhje me Programin e Shtatë Kornizë realizohen në respektim të parimeve etike themelore.
2. Veprimtaritë kërkimore të mëposhtme nuk janë objekt financimi në lidhje me Programin e Shtatë Kornizë:
- veprimtaritë kërkimore që synojnë klonimin njerëzor për qëllime riprodhuese;
- veprimtaritë kërkimore që synojnë të ndryshojnë trashëgiminë gjenetike të qenieve njerëzore, të cilat mund ta kthenin këtë ndryshim në të trashëguar,
- veprimtaritë kërkimore që synojnë të krijojnë embrione njerëzore vetëm për qëllime kërkimore ose për furnizimin me qeliza staminale, duke përfshirë aty edhe me anë transferimi bërthame qelizash somatike.
3. Veprimtaritë kërkimore rreth qelizave staminale njerëzore, të rritura ose embrionale, mund të financohen në varësi njëkohësisht të përmbajtjes së propozimit shkencor dhe të kornizës juridike të shtetit/shteteve anëtar(e) të interesuar(a). (...)”
64. Pjesët përkatëse të Rregullores nr. 1291/2013 të Parlamentit Evropian e të Këshillit të 11 dhjetorit 2013 që përcakton Programin Kornizë për Kërkimin dhe Novacionin “Horizont 2020” (2014-2020) shprehen kështu:
Neni 19 – Parime etike
“1. Të gjitha veprimtaritë për kërkim dhe novacion të zhvilluara në lidhje me Horizont 2020 respektojnë parimet etike dhe legjislacionet përkatëse kombëtare, evropiane dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian, si edhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Protokollet e saj Shtesë. (...).
(...)
3. Përjashtohen nga çdolloj financimi fushat kërkimore të mëposhtme:
a) veprimtaritë kërkimore për klonimin njerëzor me qëllime riprodhimi;
b) veprimtaritë kërkimore që synojnë të ndryshojnë trashëgiminë gjenetike të qenieve njerëzore, të cilat mund ta kthenin këtë ndryshim në të trashëguar;
c) veprimtaritë kërkimore që synojnë të krijojnë embrione njerëzore vetëm për qëllime kërkimore ose për furnizimin me qeliza staminale, sidomos me anë transferimi bërthamor qelizash somatike.
4. Veprimtaritë kërkimore rreth qelizave staminale njerëzore, të rritura ose embrionale, mund të financohen në varësi njëkohësisht të përmbajtjes së propozimit shkencor dhe të kornizës juridike të shteteve anëtare të interesuara. Asnjë financim nuk u jepet veprimtarive kërkimore të ndaluara në të gjitha shtetet anëtare. Asnjë veprimtari nuk financohet në një shtet anëtar ku ky lloj veprimtarish është i ndaluar.
(...)”
E. Komunikimi i Komisionit Evropian lidhur me nismën qytetare evropiane “Një prej nesh” COM(2014) 355 përfundimtar (Bruksel, 28 maj 2014)
65. Më 10 prill 2014, nisma qytetare “Një prej nesh” kishte propozuar disa ndryshime legjislative me synim për t’i përjashtuar nga financimet evropiane ato projekte shkencore që përfshinin shkatërrimin e embrioneve njerëzore.
66. Në komunikimin e tij të datës 28 maj 2014, Komisioni Evropian qe i mendimit se nuk mund t’i jepte të drejtë kësaj kërkese me arsyetimin se propozimi i tij për financim të projekteve të fjalë merrte parasysh konsiderata etike, përfitimet potenciale për shëndetin dhe përkrahjen e Bashkimit për kërkimin rreth qelizave staminale.
V. ELEMENTE PËRKATËSE TË SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE
A. Raporti i Komitetit Ndërkombëtar për Bioetikë të UNESKO-s (KNB) lidhur me aspektet etike të kërkimeve mbi qelizat embrionale (6 prill 2001)
67. Pjesët përkatëse të konkluzioneve të këtij raporti shprehen si vijon:
“A. KNB-ja e pranon që kërkimet mbi qelizat staminale embrionale njerëzore janë një çështje për të cilën është mirë të niset një debat në rrafshin kombëtar për të përcaktuar se çfarë qëndrimi duhet të mbahet lidhur me këto kërkime, edhe sikur ky qëndrim të synojë që ato të mos zhvillohen. Ai këshillon që të nisen debate në instancat e duhura kombëtare, duke bërë të mundur shprehjen e një shumëllojshmërie mendimesh, me qëllim që, sa të jetë e mundur, të arrihet në një konsensus i cili të caktojë kufijtë e asaj çka është e pranueshme në këtë fushë të re dhe të rëndësishme të kërkimeve terapeutike.
Në këtë fushë duhet të vendoset një proces i përhershëm edukimi e informimi. Shtetet duhet të marrin masat e duhura për të filluar një dialog të vazhdueshëm në gjirin e shoqërisë rreth çështjeve etike që ngrenë këto kërkime, duke siguruar pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve të interesuar.
B. Cilido qoftë lloji i kërkimeve që lejohet në lidhje me embrionin, duhet të merren masa për të garantuar që këto kërkime kryhen brenda një kuadri ligjesh ose rregullash që u jep peshën e nevojshme konsideratave etike dhe përcakton parimet e duhura udhëheqëse. Në rast se parashikohet që të lejohet të pranohen dhurime embrionesh të tepërta në stadin para mbjelljes, me prejardhje nga trajtime me FIV, për kërkimet mbi qelizat staminale embrionale me qëllime terapeutike, atëherë një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet dinjitetit dhe të drejtave të të dy prindërve dhurues. Është pra thelbësore që dhurimi të bëhet vetëm pasi dhuruesit të jenë informuar plotësisht për ndërlikimet e këtyre kërkimeve dhe të kenë dhënë pëlqimin e tyre paraprak, të lirë e të mirinformuar. Qëllimet e këtij lloji kërkimesh dhe mënyra se si zhvillohen ato duhet të bëhen objekt i një vlerësimi nga ana e komiteteve të duhura të etikës, të cilat duhet të jenë të pavarura nga hulumtuesit e interesuar. Në këtë proces, duhet të parashikohet një vlerësim a posteriori i këtyre kërkimeve. (...)”
B. Vendimi Murillo me të tjerë k. Kosta-Rikës i Gjykatës Ndëramerikane të të Drejtave të Njeriut (28 nëntor 2012)
68. Në këtë çështje, Gjykata Ndëramerikane e të Drejtave të Njeriut është shprehur rreth ndalimit për të bërë fekondime in vitro në Kosta-Rikë. Ajo ka çmuar, ndër të tjera, se embrioni nuk mund të konsiderohej si një “person” në kuptimin e nenit 4 § 1 të Konventës Amerikane për të Drejtat e Njeriut (e cila mbron të drejtën për jetën), meqenëse “ngjizja” ndodh vetëm duke filluar nga momenti kur embrioni mbillet në mitër.
VI. ELEMENTE TË SË DREJTËS SË KRAHASUAR
69. Sipas informacioneve që disponon Gjykata rreth legjislacionit të dyzet shteteve anëtare[1] në fushën e përdorimit të embrioneve njerëzore për qëllime kërkimi shkencor, tre vende (Belgjika, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar) e lejojnë kërkimin shkencor rreth embrioneve njerëzore si edhe krijimin e embrioneve të tilla për qëllime kërkimore.
70. Krijimi i embrioneve për kërkimin shkencor ndalohet në katërmbëdhjetë vende[2]. Megjithatë, aty lejohet në përgjithësi kërkimi mbi embrionet e tepërta, me disa kushte.
71. Ashtu si Italia, tre shtete anëtare (Sllovakia, Gjermania dhe Austria) i ndalojnë në parim kërkimet shkencore mbi embrionet, duke i lejuar ato vetëm në disa raste shumë të kufizuara, sidomos kur kanë si synim mbrojtjen e shëndetit të embrionit ose kur kryhen mbi vargje qelizore me prejardhje nga jashtë shtetit.
72. Në Sllovaki, kërkimet mbi embrionet janë rreptësisht të ndaluara, me përjashtim të atyre me natyrë terapeutike që kanë si synim të sjellin një përfitim lidhur me shëndetin e personave që marrin pjesë drejtpërdrejt në to.
73. Në Gjermani, importimi dhe përdorimi i qelizave embrionale për qëllime kërkimore janë në parim të ndaluar me ligj. Ato lejohen vetëm si përjashtim, me disa kushte të rrepta.
74. Për sa i përket Austrisë, ligji përcakton që “qelizat me shanse për sukses” nuk mund të përdoren për qëllime të tjera përveç fekondimit in vitro. Megjithatë, aty nuk përkufizohet nocioni i “qelizave me shanse për sukses”. Sipas praktikës dhe doktrinës, ndalimi i parashikuar me ligj paska të bëjë vetëm me qelizat embrionale të ashtuquajtura “totipotente”[3].
75. Në katër vende (Andorrë, Letoni, Kroaci dhe Maltë), ligji e ndalon shprehimisht çdolloj kërkimi mbi qelizat staminale embrionale.
76. Gjashtëmbëdhjetë vende nuk parashikojnë rregulla në këtë fushë. Fjala është për Armeninë, Azerbajxhanin, Bosnjë-Hercegovinën, Gjeorgjinë, Irlandën, Lihtenshtajnin, Lituaninë, Luksemburgun, Republikën e Moldavisë, Monakon, Poloninë, Rumaninë, Rusinë, San-Marinon, Turqinë dhe Ukrainën. Midis këtyre shteteve, disa kanë një praktikë më fort kufizuese (për shembull, Turqia dhe Ukraina), disa të tjerë një praktikë më fort lejuese (për shembull, Rusia).
LIGJI
77. Gjykata vë në dukje që në fillim se Qeveria bën disa prapësime rreth pranueshmërisë së kësaj kërkesëpadie. Ajo parashtron veçanërisht se paditësja nuk i ka shteruar mjetet për ankim që i jepeshin asaj në të drejtën e brendshme, se ajo nuk e ka paraqitur kërkesëpadinë e saj brenda afatit prej gjashtë muajsh të parashikuar nga neni 35 § 1 i Konventës dhe se ajo nuk e ka cilësi viktime. Gjykata do t’i shqyrtojë këto prapësime këtu më poshtë përpara se të analizojë aspektet e tjera të kërkesëpadisë.
I. RRETH MOSSHTERIMIT TË MJETEVE TË BRENDSHME PËR ANKIM
A. Qëndrimi i Qeverisë
78. Qeveria parashtron se paditësja e kishte në dorë të ankohej pranë gjyqtarit të themelit për ndalimin që t’i dhuronte embrionet e saj për kërkimin shkencor, duke mbrojtur mendimin se ndalimi në fjalë ishte në kundërshtim si me Kushtetutën italiane ashtu edhe me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Për këtë qëllim, ajo citon disa vendime të brendshme te të cilat gjykatat kombëtare e kanë interpretuar Ligjin nr. 40/2004 në dritën e Kushtetutës dhe të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, veçanërisht për sa i përket qasjes te diagnostikimi para mbjelljes (urdhrat e dhënë nga Gjykata e Kaljarit më 22 shtator 2007 dhe më 9 nëntor 2012, si edhe ata të miratuar nga gjykatat e Firences, të Bolonjës e të Salernos përkatësisht më 17 dhjetor 2007, më 29 qershor 2009 dhe më 9 janar 2010, shih paragrafët 40-49 të mësipërm).
79. Sipas saj, gjyqtari i themelit do të kishte qenë atëherë i detyruar që ta interpretonte ligjin nga rrjedh ndalimi objekt mosmarrëveshjeje në dritën e Konventës, ashtu siç e kërkojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese nr. 348 e nr. 349 të 24 tetorit 2007.
80. Në qoftë se gjyqtari i themelit do ta kishte konstatuar ekzistencën e një konflikti të pakapërcyeshëm midis interpretimit të ligjit nga ana e tij dhe të drejtave të përmendura nga pala paditëse, atëherë ai do të kishte qenë i detyruar që të shtronte një pyetje rreth kushtetutshmërisë. Gjykata Kushtetuese do ta kishte shqyrtuar atëherë në themel pajtueshmërinë e fakteve objekt mosmarrëveshjeje me të drejtat e njeriut dhe ajo do të kishte mundur t’i shfuqizonte dispozitat kombëtare me efekt prapaveprues dhe erga omnes.
81. Madje, Gjykatës Kushtetuese i qenkan paraqitur tashmë disa çështje lidhur me kushtetutshmërinë e Ligjit nr. 40/2004. Në këtë drejtim qenkan dhënë një numër i caktuar vendimesh, konkretisht urdhrat e Gjykatës Kushtetuese nr. 369, 97 dhe 150 (të shpallur përkatësisht më 24 tetor 2006, më 8 mars 2010 dhe më 22 maj 2012), vendimi nr. 151 i miratuar nga kjo e fundit më 1 prill 2009, si edhe urdhrat e gjykatave të Firences e të Romës të shpallur përkatësisht më 7 dhjetor 2012 e më 15 janar 2014 (shih paragrafët 27-33 dhe 50-53 të mësipërm).
82. Nga ana tjetër, paditësja paska shpërfillur gjithashtu edhe parimin e subsidiaritetit të vendosur nga Protokolli nr. 15 i 24 qershorit 2013, duke mos i përdorur mjetet e brendshme juridike përpara se t’i paraqiste pretendimet e saj pranë Gjykatës.
83. Së fundi, Gjykata e Firences paska ngritur përpara Gjykatës Kushtetuese një pikë kushtetutshmërie lidhur me një çështje të njëjtë me çështjen e tanishme (shih paragrafët 52-53 të mësipërm). Sikur juridiksioni i lartë të merrte një vendim jo të favorshëm për palën paditëse, kjo e fundit e paska përsëri në dorë që të paraqesë një kërkesëpadi pranë Gjykatës.
B. Qëndrimi i paditëses
84. Paditësja mbron mendimin se çdo veprim pranë gjyqtarit të zakonshëm do të kishte qenë i destinuar të dështonte, meqenëse e drejta e brendshme e ndalonte në mënyrë absolute dhurimin e embrioneve për qëllime kërkimi shkencor.
85. Përveç kësaj, ajo parashtron se rruga kushtetuese nuk mund të konsiderohet si një mjet ankimi që duhet të shterohet në kuptimin e nenit 35 § 1 të Konventës, meqenëse sistemi juridik italian nuk parashikuaka mundësi ankimi të drejtpërdrejtë pranë Gjykatës Kushtetuese.
86. Së fundi, ajo vë në dukje se, më 19 mars 2014, kryetari i Gjykatës Kushtetuese e ka shtyrë për më vonë shqyrtimin e pyetjes së ngritur nga Gjykata e Firences, së cilës i referohet Qeveria, në pritje të vendimit që do të marrë Dhoma e Madhe rreth kësaj kërkesëpadie.
C. Vlerësimi i Gjykatës
87. Gjykata rikujton në radhë të parë se, në bazë të nenit 35 § 1 të Konventës, ajo nuk mund të vihet në lëvizje përveçse pasi janë shteruar mjetet e brendshme për ankim. Çdo paditës duhet t’ua ketë dhënë juridiksioneve të brendshme rastin që kjo dispozitë ka si qëllim t’ua kursejë në parim shteteve kontraktuese, konkretisht që t’i shmangin ose t’i ndreqin shkeljet e pretenduara kundër tyre. Ky rregull bazohet te hipoteza se rendi i brendshëm ofron një mjet ankimi efektiv për sa i përket shkeljes së pretenduar. Dispozitat e nenit 35 § 1 këshillojnë megjithatë vetëm shterimin e atyre mjeteve për ankim që lidhen me shkeljet e fajësuara dhe që janë të disponueshme e të përshtatshme. Ato duhet të ekzistojnë në një shkallë të mjaftueshme sigurie jo vetëm në teori por edhe në praktikë, përndryshe atyre u mungojnë ai efektivitet e ajo mundësi qasjeje që duhen; i takon shtetit të paditur që të vërtetojë se të gjitha këto kërkesa janë të përmbushura (shih, mes shumë të tjerash, McFarlane k. Irlandës [DhM], nr. 31333/06, § 107, 10 shtator 2010, Mifsud k. Francës (vend. pran.) [DhM], nr. 57220/00, § 15, GjEDNj 2002‑VIII, Leandro Da Silva k. Luksemburgut, nr. 30273/07, §§ 40 e 42, 11 shkurt 2010 et Vučković me të tjerë k. Serbisë [DhM], nr. 17153/11, §§ 69-77, 25 mars 2014).
88. Në këtë çështje, duke u mbështetur te sistemi për kontroll kushtetutshmërie i krijuar me vendimet e Gjykatës Kushtetuese nr. 348 e nr. 349 të 24 tetorit 2007, Qeveria mbron mendimin se mjetet për ankim që i jepeshin paditëses në të drejtën e brendshme nuk janë shteruar. Për këtë qëllim, ajo citon shembuj nga vendimet e dhëna në themel dhe nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin nr. 40/2004.
89. Gjykata vëren që në fillim se, me vendimet e sipërpërmendura nr. 348 e nr. 349, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar vendin e Konventës së të Drejtave të Njeriut në burimet e së drejtës së brendshme, duke qenë e mendimit se ajo ishte një normë e rangut të ndërmjetëm midis ligjit të zakonshëm dhe Kushtetutës. Përveç kësaj, ajo ka çmuar se i takonte gjyqtarit të themelit që ta interpretonte normën e brendshme në përputhje me Konventën e të Drejtave të Njeriut dhe me jurisprudencën e Gjykatës. Ajo ka saktësuar se, kur një interpretim i tillë dilte se ishte i pamundur ose kur gjyqtari i themelit kishte dyshime për sa i përket pajtueshmërisë së normës së brendshme me Konventën, ky i fundit kishte detyrimin që të shtronte një pyetje kushtetutshmërie para saj.
90. Gjykata rikujton gjithashtu se, në mungesë të një mjeti të brendshëm ankimi specifik për shkeljen e pretenduar, i takonte Qeverisë që, duke u mbështetur te jurisprudenca e brendshme, të përligjte zhvillimin, vlefshmërinë, rrezen e veprimit dhe fushën e zbatimit të mjetit për ankim që ajo përmend (shih, mutatis mutandis, Melnītis k. Letonisë, nr. 30779/05, § 50, 28 shkurt 2012, McFarlane të cituar më lart, §§ 115-127, Costa e Pavan k. Italisë, nr. 54270/10, § 37, 28 gusht 2012 dhe Vallianatos me të tjerë k. Greqisë [DhM], nr. 29381/09 e nr. 32684/09, §§ 52-58, GjEDNj 2013 (pjesë të zgjedhura)).
91. Në çështjen në fjalë, Gjykata vë re që Qeveria i është referuar disa çështjeve të cilat kanë të bëjnë me Ligjin nr. 40/2004, por që ajo nuk ka dhënë asnjë shembull vendimi të brendshëm që t’i ketë dhënë zgjidhje pikës lidhur me dhurimin e embrioneve të tepërta për kërkimin. Gjykata nuk sheh madje se qysh mund ta qortojë në mënyrë të vlefshme paditësen që nuk paska paraqitur ndonjë kërkesë e cila të synonte përfitimin e një mase të ndaluar me ligj.
92. Për sa i përket argumentit të Qeverisë se, që prej miratimit të vendimeve nr. 348 e nr. 349, gjyqtari i themelit ka detyrimin që ta interpretojë ligjin nga rrjedh ndalimi objekt mosmarrëveshjeje në dritën e Konventës dhe të jurisprudencës së Strasburgut ndërkohë që ai nuk ishte i detyruar për këtë gjë më parë, ka disa konsiderata që e shtyjnë Gjykatën të dalë në përfundimin se ky pohim nuk ndiqet, faktikisht, nga ndonjë praktikë e mirëpërcaktuar gjyqësore, sidomos në fushën e riprodhimit me ndihmë mjekësore.
93. Gjykata vëren, së pari, se në një çështje të ngjashme me këtë të tanishmen e që kishte të bënte me ndalimin për t’i dhuruar embrione të tepërta kërkimit shkencor, Gjykata e Firences ka vendosur, më 7 dhjetor 2012, që të shtronte përpara Gjykatës Kushtetuese pyetjen rreth kushtetutshmërisë së nenit 13 të Ligjit nr. 40/2004 në vështrim të neneve 9 e 32 të Kushtetutës, të cilat garantojnë përkatësisht lirinë e kërkimit shkencor dhe të drejtën për shëndetin (shih paragrafin 22 të mësipërm). Gjykata konstaton megjithatë se nga gjyqtari i themelit nuk është shtruar asnjë pyetje për sa i përket pajtueshmërisë së ndalimit në fjalë me të drejtat e garantuara prej Konventës.
94. Ajo shënon, së dyti, se, përveç ndonjë përjashtimi, vendimet e gjyqtarit të themelit dhe të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin nr. 40/2004 që citohen nga Qeveria (shih paragrafët 78 dhe 81 të mësipërm) nuk i referohen Konventës së të Drejtave të Njeriut. I tillë është rasti i urdhrave nr. 396/2006 dhe nr. 97/2010 të Gjykatës Kushtetuese si edhe i vendimit të saj nr. 151/2009, i urdhrave të gjykatave të Kaljarit, të Firences, të Bolonjës e të Salernos të miratuar përkatësisht më 22 shtator 2007, më 17 dhjetor 2007, më 29 qershor 2009 e më 9 janar 2010, si edhe i vendimit të Gjykatës së Firences të datës 7 dhjetor 2012.
95. Është e vërtetë se, në urdhrin nr. 150 të 22 majit 2012 me anë të të cilit ajo i ka kthyer gjyqtarit të themelit një çështje që ishte të bënte me ndalimin e fekondimit heterolog, Gjykata Kushtetuese u është referuar, ndër të tjera, neneve 8 de 14 të Konventës. Megjithatë duhet të konstatohet se, në vendimin e saj nr. 162 të 10 qershorit 2014 lidhur me të njëjtën çështje, Gjykata Kushtetuese e ka analizuar ndalimin objekt konflikti vetëm në dritën e neneve të Kushtetutës që viheshin në pikëpyetje (konkretisht të neneve 2, 31 dhe 32). Për sa u përket neneve 8 e 14 të Konventës, të përmendur vetëm prej njërës nga tri gjykatat e themelit (shih paragrafin 35 të mësipërm), ajo është mjaftuar të vërente se pyetjet e shtruara në këndvështrimin e këtyre dispozitave mbuloheshin nga konkluzionet te të cilat ajo kishte dalë në fushën e Kushtetutës (shih paragrafin 39 të mësipërm).
96. Në këto kushte, dy përjashtimet e vetme nga mosmarrja parasysh e Konventës dhe e jurisprudencës së saj përbëhen prej urdhrave të gjykatave të Kaljarit (të 9 nëntorit 2012) e të Romës (të 15 janarit 2014) që, duke pasur parasysh konkluzionet e Gjykatës në çështjen Costa e Pavan (të cituar më lart), përkatësisht kanë garantuar qasjen e paditësve te diagnostikimi para mbjelljes dhe kanë shtruar një pyetje kushtetutshmërie rreth kësaj pike përpara Gjykatës Kushtetuese. Prapëseprapë, bëhet fjalë vetëm për dy raste të veçuara në krahasim me njëmbëdhjetë të përmendura nga Qeveria, të cilat kanë të bëjnë me një fushë të ndryshme nga kjo për të cilën është fjala këtu e për të cilën Gjykata kishte marrë tashmë vendim.
97. Për më tepër, meqenëse pajtueshmëria e nenit 13 të Ligjit nr. 40/2004 me të drejtat e garantuara nga Konventa është një pyetje e re, Gjykata nuk është aspak e bindur se mundësia që i është ofruar paditëses për t’i çuar ankesat e saj para një gjyqtari të zakonshëm përbën një zgjidhje efikase.
98. Vetë vendimet nr. 348 dhe nr. 349 bëjnë disa saktësime rreth dallimit të roleve përkatëse të Gjykatës së Strasburgut e të Gjykatës Kushtetuese duke vënë në dukje se të parës i takon që të interpretojë Konventën, kurse të dytës i takon që të kërkojë nëse ekziston ndonjë konflikt ndërmjet kësaj apo asaj norme kombëtare dhe të drejtave të garantuara nga Konventa, veçanërisht në dritën e interpretimit të dhënë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (shih paragrafin 26 të mësipërm).
99. Madje, kësaj logjike i përket vendimi i marrë më 19 mars 2014 nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese për ta shtyrë për më vonë shqyrtimin e pyetjes së shtruar më 7 dhjetor 2012 nga Gjykata e Firences, në pritje që Gjykata të shprehet rreth kësaj çështjeje (shih paragrafin 53 të mësipërm).
100. Në këtë kontekst, Gjykata vë në dukje se, në një vendim të kohëve të fundit (nr. 49, të depozituar më 26 mars 2015) ku ajo ka analizuar ndër të tjera vendin e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe të jurisprudencës së Gjykatës në rendin e brendshëm juridik, Gjykata Kushtetuese ka vënë në dukje se gjyqtari i themelit ishte i detyruar të vepronte në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës vetëm në atë rast kur kjo e fundit ishte “e mirëpërcaktuar” ose ishte parashtruar në një “vendim pilot”.
101. Sidoqoftë, Gjykata ka rikujtuar shumë herë se, në rendin juridik italian, ndërgjyqësi nuk gëzon një qasje të drejtpërdrejtë te Gjykata Kushtetuese: në fakt zotësinë për t’iu drejtuar asaj e ka vetëm një juridiksion që shqyrton themelin e një çështjeje, ose me kërkesën e një pale, ose kryesisht. Prandaj, një kërkesëpadi e tillë nuk mund të analizohet si një mjet ankimi shterimin e të cilit e kërkon Konventa (shih, ndër të tjera, Brozicek k. Italisë nr. 10964/84, 19 dhjetor 1989, § 34, seria A nr. 167, Immobiliare Saffi k. Italisë [DhM], nr. 22774/93, § 42, GjEDNj 1999‑V, C.G.I.L. e Cofferati k. Italisë, nr. 46967/07, § 48, 24 shkurt 2009, Scoppola k. Italisë (nr. 2) [DhM], nr. 10249/03, § 75, 17 shtator 2009 dhe M.C. me të tjerë k. Italisë, nr. 5376/11, § 47, 3 shtator 2013). Nga ana tjetër, Komisioni dhe Gjykata kanë gjykuar, për sa i përket disa shteteve të tjera anëtare, se ankimi i drejtpërdrejtë pranë Gjykatës Kushtetuese përbënte një mjet të brendshëm ankimi që duhej të shterohej (shih, për shembull, W. k. Gjermanisë, nr. 10785/84, 18 korrik 1986, Vendime dhe raporte (DR) 48, f. 104, Union Alimentaria Sanders SA k. Spanjës, nr. 11681/85, 11 dhjetor 1987 DR 54, f. 101, 104, S.B. me të tjerë k. Belgjikës (vend. pran.), nr. 63403/00, 6 prill 2004 et Grišankova e Grišankovs k. Letonisë (vend. pran.), nr. 36117/02, GjEDNj 2003‑II (pjesë të zgjedhura)).
102. Duke pasur parasysh çka paraprin më lart, Gjykata nuk ka sesi të jetë e mendimit se sistemi i interpretimit të detyrueshëm të normës së brendshme në dritën e Konventës, i vendosur nga vendimet nr. 348 e nr. 349, përbën një kthesë me natyrë që e hedh poshtë një konkluzion të tillë (shih, a contrario, vendimet e kohëve të fundit të Gjykatës që e pranojnë efektshmërinë e ankimit pranë Gjykatës Kushtetuese turke pas vendosjes së një mundësie të drejtpërdrejtë ankimi pranë kësaj të fundit: Hasan Uzun k. Turqisë (vend. pran.), nr. 10755/13, §§ 25-27, 30 prill 2013 dhe Ali Koçintar k. Turqisë (vend. pran.), nr. 77429/12, 1 korrik 2014).
103. Është e udhës të përshëndeten parimet që dalin nga vendimet nr. 348 e nr. 349 të 24 tetorit 2007, veçanërisht për sa i përket vendit që i takon Konventës në burimet e së drejtës dhe ftesës që u bëhet autoriteteve gjyqësore kombëtare për t’i interpretuar normat e brendshme dhe Kushtetutën në dritën e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe të jurisprudencës së Gjykatës. Gjykata shënon gjithashtu se, në disa fusha të tjera përveç riprodhimit me ndihmë mjekësore, kanë qenë të shumta vendimet ku Gjykata Kushtetuese ka dalë në përfundimin e jokushtetutshmërisë së një norme të brendshme në bazë, ndër të tjera, të papajtueshmërisë së kësaj të fundit me të drejtat e garantuara prej Konventës dhe jurisprudencës së Gjykatës (i tillë është konkretisht rasti i vendimit nr. 39 të 5 marsit 2008 për pazotësitë e lidhura me falimentimin, i vendimit nr. 93 të 17 marsit 2010 lidhur me zhvillimin publik të seancave në procedurat për zbatim të masave të ndërmjetme, dhe i vendimit nr. 210 të 3 korrikut 2013 që kishte të bënte me fuqinë prapavepruese të ligjit penal).
104. Megjithatë, është me vend të vihet në dukje në radhë të parë se sistemi italian parashikon për individët vetëm një mjet të tërthortë ankimi pranë Gjykatës Kushtetuese. Përveç kësaj, Qeveria nuk ka vërtetuar, duke u mbështetur te një jurisprudencë e një praktikë e përcaktuar, se në fushën e dhurimit të embrioneve për kërkimin, ushtrimi i një veprimi nga ana e paditëses pranë gjyqtarit të themelit, i kombinuar me detyrën e këtij të fundit për të shtruar përpara Gjykatës Kushtetuese një pyetje rreth kushtetutshmërisë në dritën e Konventës, përbënte, në rastin e çështjes në fjalë, një mjet ankimi efektiv të cilin e interesuara duhej ta kishte shteruar.
105. Duke pasur parasysh çka paraprin më lart dhe faktin se Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta pezullojë shqyrtimin e një çështjeje të ngjashme të papërfunduar pranë saj në pritje që Gjykata të marrë vendim në çështjen e tanishme, është e udhës të rrëzohet kërkesa për prapësim e paraqitur nga qeveria e paditur.
II. RRETH RESPEKTIMIT TË AFATIT PREJ GJASHTË MUAJSH
A. Qëndrimi i Qeverisë
106. Gjatë seancës, Qeveria ka bërë prapësim lidhur me vonesën e kërkesëpadisë, duke sjellë për këtë si argument se ligji që e ndalon dhurimin e embrioneve për kërkimin shkencor ka hyrë në fuqi më 10 mars 2004 dhe se paditësja e ka kërkuar vënien në dispozicion të embrioneve të saj për qëllim të një dhurimi të tillë vetëm më 14 dhjetor 2011, me anë të një letre të drejtuar në këtë datë qendrës për mjekësinë e riprodhimit ku këto të fundit ishin kriokonservuar.
B. Qëndrimi i paditëses
107. Paditësja i është përgjigjur këtij prapësimi gjatë seancës duke vënë në dukje se, ndonëse ajo i kishte drejtuar një kërkesë me shkrim për vënie në dispozicion të embrioneve të saj qendrës për mjekësinë e riprodhimit më 14 dhjetor 2011, ajo kishte formuluar më parë me gojë kërkesa të tjera që kishin të njëjtin objekt.
108. Gjithsesi, e interesuara mbron mendimin se çdo kërkesë drejtuar qendrës për mjekësinë e riprodhimit ishte e destinuar të dështonte, duke rikujtuar se ligji i zbatueshëm e ndalon kategorikisht dhurimin e embrioneve për kërkimin shkencor.
C. Vlerësimi i Gjykatës
109. Gjykata rikujton se, kur një ndërhyrje në të drejtën e përmendur nga ana e një paditësi rrjedh drejtpërdrejt prej një ligji, ky i fundit, vetëm me anë të mbajtjes së tij në fuqi, mund të përbëjë një ndërhyrje të përhershme në ushtrimin e së drejtës për të cilën bëhet fjalë (shih, për shembull, çështjet Dudgeon k. Mbretërisë së Bashkuar, 22 tetor 1981, § 41, seria A nr. 45, dhe Norris k. Irlandës, 26 tetor 1988, § 38, seria A nr. 142, në të cilat paditësit, homoseksualë, ankoheshin për faktin se ato ligje që i shtypnin veprimet homoseksuale me sanksione penale u cenonin atyre të drejtën për respektimin e jetës së tyre private).
110. Gjykata është bazuar te kjo qasje në çështjen Vallianatos me të tjerë k. Greqisë ([DhM], nr. 29381/09 e nr. 32684/09, § 54, GjEDNj 2013 (pjesë të zgjedhura)), në të cilën paditësit ankoheshin për një shkelje të vazhduar të neneve 14 e 8 të Konventës për shkak të pamundësisë për ta, si çifte të së njëjtës gjini, për të lidhur “marrëveshje bashkëjetese”, ndërkohë që kjo mundësi u njihej me ligj çifteve me gjini të kundërt. Përveç kësaj, në çështjen S.A.S. k. Francës ([DhM], nr. 43835/11, § 110, GjEDNj 2014 (pjesë të zgjedhura)), e cila kishte të bënte me ndalimin ligjor për të mbajtur një veshje që shërbente për të fshehur fytyrën në hapësirën publike, Gjykata ka vënë në dukje se situata e paditëses ishte e ngjashme me atë të paditësve në çështjet Dudgeon dhe Norris, ku ajo kishte konstatuar një ndërhyrje të vazhduar në ushtrimin e të drejtave të mbrojtura nga neni 8 i Konventës.
111. Gjykata e pranon që, në çështjet e cituara më lart, ndikimi i masave të fajësuara legjislative në jetën e përditshme të paditësve ishte më i madh e më i drejtpërdrejtë sesa në këtë çështje. Megjithatë, nuk ka sesi të mohohet që ndalimi ligjor i dhurimit të embrioneve për kërkimin shkencor, i vënë në pikëpyetje në çështjen e tanishme, e ka njëfarë ndikimi në jetën private të paditëses. Ky ndikim, i cili rezulton nga lidhja biologjike që ekziston ndërmjet të interesuarës dhe embrioneve të saj si edhe nga qëllimi për realizim të një projekti familjar në zanafillë të krijimit të tyre, rrjedh drejtpërdrejt nga hyrja në fuqi e Ligjit nr. 40/2004 dhe përbën një situatë të vazhduar për faktin që e prek paditësen në mënyrë të përhershme që prej asaj kohe (shih raportin përfundimtar të Komisionit Studimor për embrionet të datës 8 janar 2010, i cili hedh hipotezën e një konservimi pa kufi afati të embrioneve të ngrira, paragrafi 21 i mësipërm).
112. Në një rast të tillë, sipas jurisprudencës së Gjykatës, afati prej gjashtë muajsh fillon të llogaritet vetëm nga ai moment kur situata në fjalë ka marrë fund (shih ndër të tjera, Çınar k. Turqisë, nr. 17864/91, vendim i Komisionit i datës 5 shtator 1994). Për rrjedhojë, Gjykata nuk pajtohet me tezën e Qeverisë se afati llogaritet nga dita e hyrjes në fuqi të ligjit të kundërshtuar.
113. Madje, teza e Qeverisë do të ishte njëlloj sikur të mendohej se paditësja dëshironte t’i dhuronte embrionet e saj që prej hyrjes në fuqi të ligjit të kundërshtuar, rrethanë kjo rreth së cilës Gjykata nuk mund të spekulojë.
114. Prapësimi për vonesë i kërkesëpadisë, i kërkuar nga Qeveria në bazë të nenit 35 § 1 të Konventës, nuk ka pra sesi të pranohet.
III. RRETH CILËSISË SI VIKTIMË TË PADITËSES
A. Qëndrimi i Qeverisë
115. Qeveria bën gjithashtu prapësim për mungesën e cilësisë si viktimë të paditëses, duke vënë në dukje se, gjatë periudhës nga 12 nëntori 2003 – datë e vdekjes së bashkëjetuesit të së interesuarës – deri më 10 mars 2004, datë e hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 40/2004, paditësja paska mundur t’i dhuronte embrionet e saj për kërkimin shkencor, përderisa atëherë nuk kishte asnjë rregull të përcaktuar në këtë fushë e kështu që një dhurim i tillë nuk ishte i ndaluar.
B. Qëndrimi i paditëses
116. Paditësja ka nënvizuar gjatë seancës se afati që kishte kaluar nga data e vdekjes së bashkëjetuesit të saj deri në hyrjen në fuqi të ligjit të kundërshtuar kishte qenë shumë i shkurtër – rreth katër muaj – dhe se ajo nuk kishte mundur të merrte brenda asaj periudhe ndonjë vendim të saktë lidhur me fatin që ajo donte t’u caktonte embrioneve të dala nga fekondimi in vitro që kishte bërë.
C. Vlerësimi i Gjykatës
117. Gjykata rikujton se, kur një ndërhyrje në jetën private të një paditësi rrjedh drejtpërdrejt prej një ligji, ky i fundit, përmes mbajtjes së tij në fuqi, përfaqëson një ndërhyrje të përhershme në ushtrimin e së drejtës në fjalë. Në situatën personale të të interesuarit, ajo pasqyrohet në mënyrë të vazhdueshme e të drejtpërdrejtë, vetëm përmes ekzistencës së saj, në jetën private të këtij të fundit (Dudgeon, § 41, dhe Norris, § 34, të cituara më lart).
118. Në çështjen në fjalë, paditësja ndodhet në pamundësinë për t’i dhuruar për kërkim embrionet e saj që prej hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 40/2004 (shih gjithashtu paragrafin 113 të mësipërm). Meqenëse situata objekt konflikti ka mbetur e pandryshuar që prej atij momenti, fakti që paditësja dëshironte t’i dhuronte për kërkim embrionet e veta në çastin e paraqitjes së kërkesëpadisë së saj i mjafton Gjykatës për t’ia njohur asaj cilësinë e viktimës. Përveç kësaj, për sa i përket argumentit të Qeverisë se paditësja paska mundur t’i dhuronte embrionet e saj për kërkimin shkencor brenda periudhës që ka kaluar midis vdekjes së bashkëjetuesit të saj dhe hyrjes në fuqi të ligjit, Gjykata i mban shënim informacionet e dhëna prej paditëses nga të cilat del se, brenda atij afati të shkurtër të venë në dukje më sipër, ajo nuk kishte mundur të merrte një vendim të saktë për fatin e embrioneve të saj.
119. Është kështu me vend që të rrëzohet prapësimi i qeverisë së paditur i bërë mbi bazën e mungesës së cilësisë si viktimë të paditëses.
IV. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 8 TË KONVENTËS
120. Duke iu referuar nenit 8 të Konventës, paditësja pretendon se ndalimi i dhurimit të embrioneve për qëllime kërkimi shkencor, i cili rrjedh nga neni 13 i Ligjit nr. 40/2004, përbën shkelje të së drejtës së saj për respektimin e jetës së saj private. Neni 8 është i formuluar kështu në pjesët e tij me rëndësi për këtë çështje:
“1. Çdo person ka të drejtë që t’i respektohet jeta e tij private (...).
2. Autoriteti publik mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte vetëm në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur, në një shoqëri demokratike, kjo masë është e domosdoshme për sigurinë kombëtare, për sigurimin publik, për mirëqenien ekonomike të vendit, për mbrojtjen e rendit ose për parandalimin e veprave penale, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve.”
A. Argumentet e palëve
1. Argumentet e Qeverisë
121. Qeveria mbron që në fillim mendimin se pika nëse mund të dhurohen embrione njerëzore për kërkimin shkencor nuk i përket nocionit të “së drejtës për respektimin e jetës private”.
122. Gjatë seancës, është parashtruar se neni 8 i Konventës paska mundur të zbatohej vetëm “në mënyrë të tërthortë” në këtë çështje, domethënë vetëm në qoftë se paditësja do të kishte dëshiruar të realizonte një projekt familjar në saje të mbjelljes së embrioneve të saj dhe në qoftë se ajo do të ishte penguar për këtë për arsye të zbatimit të Ligjit nr. 40/2004.
123. Sidoqoftë, ajo mbrohet me argumentin se ndërhyrja e pretenduar në jetën private të paditëses është e parashikuar me ligj dhe se ajo ndjek një qëllim të drejtë që është ta mbrojë atë potencialitet jete bartës i të cilit është embrioni.
124. Për sa i përket përpjesëtueshmërisë së masës së kundërshtuar, Qeveria është kufizuar në vërejtjet e saj me shkrim duke iu referuar konsideratave të shtjelluara në fushën e nenit 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës. Por nga ana tjetër, gjatë seancës, Qeveria ka mbrojtur mendimin se legjislacioni italian nuk ishte kontradiktor, duke sjellë si argument se paditësja pohonte pa të drejtë që embrionet e kriokonservuara nuk mund të shpinin në një jetë njerëzore. Në lidhje me këtë, ajo ka parashtruar se, i realizuar me korrektësi, kriokonservimi nuk ishte i kufizuar në kohë dhe se nuk ekzistonte ende asnjë kriter shkencor që të jepte mundësi për t’i verifikuar shanset për sukses të një embrioni të kriokonservuar pa bërë çngrirjen e tij
125. Nga ana tjetër, Qeveria çmon se ligji italian që lejon abortin nuk është i papajtueshëm me ndalimin për të dhuruar embrione për kërkimin, duke saktësuar se në rast ndërprerjeje shtatzënie, mbrojtja e jetës së fetusit është e qartë që duhet të vihet patjetër në balancë me situatën e me interesat e nënës.
126. Gjatë seancës, ajo ka nënvizuar gjithashtu se embrioni ishte me siguri objekt i një mbrojtjeje në të drejtën evropiane. Në lidhje me këtë, ajo ka parashtruar se Konventa e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut dhe Biomjekësinë (“Konventa e Oviedos”) e 4 prillit 1997 sigurisht që nuk i detyronte shtetet që ta lejonin kërkimin shkencor shkatërrues rreth embrioneve, meqenëse zgjedhja për të krijuar një kërkim të tillë varej sipas saj nga hapësira e gjerë për vlerësim që u jepej shteteve në këtë fushë.
127. Përveç kësaj, ajo vë në dukje se punimet përgatitore të Ligjit nr. 40/2004 tregojnë që ky i fundit është fryti i një pune të madhe e cila i ka marrë parasysh mendimet e ndryshme si edhe pyetjet shkencore dhe etike që shtrohen në këtë fushë. Gjithashtu, ajo saktëson se ligji në fjalë është bërë objekt për disa referendume, veçanërisht për sa i përket ruajtjes së nenit 13 të tij, të cilët kanë dështuar sepse nuk ishte arritur kuorumi i votuesve.
128. Për më tepër, ndonëse e pranon që kërkimi shkencor italian përdor vargje qelizash embrionale të importuara nga jashtë shtetit e që rezultojnë nga shkatërrimi i embrioneve të zanafillës, ajo saktëson se prodhimi i këtyre vargjeve nuk bëhet me kërkesën e laboratorëve italianë, duke vënë në dukje se në botë ekzistojnë rreth treqind vargje qelizore embrionale të vëna në dispozicion të mbarë bashkësisë shkencore. Në lidhje me këtë, ajo nënvizon se shkatërrimi i vullnetshëm i një embrioni njerëzor nuk ka sesi të krahasohet me përdorimin e vargjeve qelizore të dala nga embrione njerëzore të shkatërruara më parë.
129. Për sa u përket financimeve që i jep Bashkimi Evropian kërkimit shkencor, Qeveria parashtron se Programi VII Kuadër për Kërkimin e Zhvillimin Teknologjik dhe Programi Kuadër për Kërkimin e Novacionin “Horizont 2020” (shih paragrafin 64 të mësipërm) nuk e parashikonin financimin e projekteve ku përfshihet shkatërrimi i embrioneve, qofshin këto të krijuara në Evropë apo të importuara nga vende të treta.
130. Ajo nënvizon më së fundi se, në mendimin e tij të datës 18 nëntor 2005 lidhur me “birësimin për lindjen – ADP” (shih paragrafët 19-20 të mësipërm), Komiteti Kombëtar për Bioetikën ishte shqetësuar tashmë për fatin e embrioneve të tepërta me qëllim për të gjetur zgjidhje të cilat e respektonin jetën e këtyre të fundit.
131. Ajo çmon se sot kjo perspektivë mund të konkretizohet duke pasur parasysh vendimin nr. 162 të 10 qershorit 2014 me anë të të cilit Gjykata Kushtetuese e ka shpallur jokushtetues ndalimin e fekondimit heterolog, duke e lejuar kështu përdorimin e embrioneve të tepërta të një fekondimi in vitro për qëllime jo shkatërrimtare, në përputhje me qëllimin e ndjekur nga legjislacioni italian në këtë fushë.
2. Argumentet e paditëses
132. Paditësja pohon fillimisht se, në kuptimin e jurisprudencës së Gjykatës, nocioni “jetë private” është i gjerë (Pretty k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 2346/02, § 61, GjEDNj 2002‑III dhe Evans k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 6339/05, § 71, GjEDNj 2007‑I).
133. Ajo vë në dukje pastaj se e ka humbur bashkëjetuesin e saj në rrethana tragjike, arsye për të cilën nuk ka mundur ta realizonte projektin e saj familjar. Në seancë, ajo ka shpjeguar se nga vdekja e bashkëjetuesit të saj deri në hyrjen në fuqi të ligjit kishin kaluar vetëm katër muaj, se ajo nuk e kishte pasur kështu kohën e nevojshme për të menduar për ndërtimin e një projekti familjar, dhe se ligji e ndalonte gjithsesi mbjelljen e embrioneve post mortem.
134. Në këtë kontekst, ajo ka mendimin se shteti e detyron atë për më tepër që të jetë e pranishme në shkatërrimin e embrioneve të saj pa i dhënë asaj mundësi për t’i dhuruar ato për kërkimin, ndërkohë që një dhurim i tillë, i cili u bëka për një kauzë fisnike, përfaqësuaka për të një burim ngushëllimi pas ngjarjeve të dhimbshme me të cilat ajo është përballur. Në këto kushte, ajo çmon se e drejta e saj për jetën private është vënë në pikëpyetje.
135. Ajo është përveç kësaj e mendimit se ndalimi objekt konflikti është i zhveshur nga çdolloj logjike, meqenëse e vetmja rrugë që ofrohet nga sistemi është ajo e vdekjes së embrioneve. Gjatë seancës, ajo ka vënë veçanërisht në dukje kontradiktat që ekzistojnë në rendin juridik italian, duke parashtruar se e drejta e embrionit për jetën, e përmendur nga Qeveria, nuk pajtohej as me mundësinë e grave për të abortuar deri në muajin e tretë të shtatzënisë, as me përdorimin, nga ana e laboratorëve italianë, të vargjeve qelizore embrionale të dala nga shkatërrimi i embrioneve të krijuara jashtë shtetit.
136. Përveç kësaj, ajo çmon se mundësia për të dhuruar embrione që nuk janë të destinuara për një mbjellje iu përgjigjka gjithashtu një interesi publik, sepse kërkimet mbi qelizat staminale pluripotente të induktuara nuk i kanë zëvendësuar ende kërkimet mbi qelizat staminale, arsye për të cilën këto të fundit vazhdojnë të figurojnë midis rrugëve më premtuese të kërkimit, sidomos për sa i përket trajtimit të disa patologjive të pashërueshme.
137. Ajo mbron gjithashtu mendimin se shteti nuk ka ndonjë hapësirë të gjerë për vlerësim në këtë çështje, duke pasur parasysh veçanërisht konsensusin evropian që ekziston rreth mundësisë për të dhuruar për kërkimin shkencor embrione të cilat nuk janë të destinuara për t’u mbjellë.
138. Gjatë seancës, ajo i është referuar vendimit të dhënë më 18 tetor 2011 nga Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian në çështjen Oliver Brüstle k. Greenpeace eV (shih paragrafët 59 deri në 61 të mësipërm). Duke vërejtur se ky vendim mjaftohet duke e ndaluar mundësinë e patentimit të shpikjeve që nënkuptojnë shkatërrimin e embrioneve njerëzore, ajo nxjerr nga kjo se vetë shpikjet – si edhe kërkimet që u paraprijnë atyre – nuk janë të ndaluara në rrafshin evropian.
139. Së fundi, ajo çmon se Komunikimi i Komisionit Evropian lidhur me nismën qytetare evropiane “Një prej nesh” i 28 majit 2014 (shih paragrafët 65-66 të mësipërm) e vërteton që financimi i kërkimeve mbi qelizat staminale embrionale njerëzore është i lejuar.
3. Vërejtjet e palëve të treta
a) Qendra Evropiane për Drejtësinë dhe të Drejtat e Njeriut (“ECLJ”)
140. ECLJ-ja parashtron se, në këtë çështje, interesat e shkencës – ndaj të cilave paditësja është e ndjeshme – nuk kanë epërsi mbi respektin që duhet të tregohet për embrionin, kjo për arsye të parimit të “përparësisë së qenies njerëzore” të njohur nga neni 2 i Konventës së Oviedos.
141. Përveç kësaj, ajo vë në dukje se, në të gjitha ato çështje ku shtroheshin pyetje lidhur me riprodhimin me ndihmë mjekësore të cilat janë çuar përpara Gjykatës, ndërhyrja në jetën private dhe familjare të paditësve rridhte nga një ligj që bëhej pengesë për realizimin e një projekti prindëror të çiftit ose të nënës. Ajo çmon se nuk është ashtu në çështjen në fjalë, meqenëse paditësja ka vendosur të heqë dorë prej projektit të saj familjar, sado që asnjë ligj nuk e ndalonte shtatzëninë post mortem në kohën e realizimit të fekondimit in vitro.
142. Së fundi, ajo rikujton se hapësira për vlerësim e shteteve anëtare në këtë fushë është e gjerë, duke iu referuar lidhur me këtë vendimeve S.H. me të tjerë k. Austrisë dhe Evans, të cituara më lart.
b) Shoqatat “Movimento per la vita”, “Scienza e vita” dhe “Forum delle associazioni familjari”, të përfaqësuara nga Z. Carlo Casini
143. Këto shoqata janë të mendimit se eksperimentimet shkatërrimtare me embrione njerëzore, të cilat kanë cilësi “subjekti”, janë të ndaluara me ligj dhe se Konventa e Oviedos nuk vë asnjë detyrim për t’i lejuar eksperimentime të tilla.
144. Ato rikujtojnë përveç kësaj se shtetet anëtare gëzojnë në këtë fushë një hapësirë të gjerë për vlerësim.
c) Shoqatat “Luca Coscioni”, “Amica Cicogna Onlus”, “L’altra cicogna Onlus” e “Cerco bimbo” si edhe dyzet e gjashtë anëtarë të Parlamentit italian, të përfaqësuar nga Znja Filomena Gallo
145. Këto palë të treta parashtrojnë se nocioni “jetë private” është evolutiv, se ai nuk mund të përmblidhet me një përkufizim shterues, dhe se paditësja kërkon në veçanti të drejtën për respektimin e zgjedhjes së saj për të dhuruar për kërkim material biologjik që i përket asaj, konkretisht embrione që nuk janë më të destinuara për një projekt prindëror e që gjithsesi janë të caktuara për t’u shkatërruar.
146. Ato shtojnë se ndërhyrja në fjalë nuk përligjet nga qëllimi i përmendur, meqenëse ligji italian nuk i jep mbrojtje absolute jetës së embrionit.
d) Shoqatat “VOX – Osservatorio italiano sui Diritti”, “SIFES – Society of Fertility, Sterility and Reproductive Medicine” dhe “Cittadinanzattiva”, të përfaqësuara nga Znja Maria Elisa D’Amico, Znja Maria Paola Costantini, Z. Massimo Clara, Znja Chiara Ragni dhe Znja Benedetta Liberali
147. Këto shoqata nënvizojnë se neni 13 i Ligjit nr. 40/2004 sjell si pasojë një kufizim të lirisë së individëve për të zgjedhur fatin e embrioneve të tyre, kriokonservimi i të cilave duhet të sigurohet për një kohë të pakufizuar, çka shkakton kosto të mëdha.
148. Sipas tyre, kriokonservimi nuk paraqet asnjë dobi për embrione që janë të destinuara për të vdekur, as për çiftet, të cilat kanë në përgjithësi pak dëshirë që të përdorin për qëllime mbjelljeje embrione të kriokonservuara prej shumë kohësh, sepse “cilësia” e këtyre të fundit ulet me kalimin e kohës. Ai qenka po aq pa interes për qendrat mjekësore ku ruhen embrionet.
B. Vlerësimi i Gjykatës
1. Rreth zbatueshmërisë në këtë çështje të nenit 8 të Konventës dhe rreth pranueshmërisë së ankesës së bërë nga paditësja
149. Me anë të kësaj çështjeje, Gjykatës i kërkohet për herë të parë që të shprehet rreth pikës nëse “e drejta për respektimin e jetës private” e garantuar nga neni 8 i Konventës mund ta përfshijë të drejtën së cilës i referohet paditësja përpara saj, atë për të disponuar embrione të dala nga një fekondim in vitro me qëllimin për t’i dhuruar ato për kërkimin shkencor.
150. Qeveria mbron mendimin se dispozita në fjalë paska mundur të zbatohet në këtë çështje vetëm në mënyrë të tërthortë dhe vetëm për atë anë të saj që ka të bëjë me “jetën familjare”, domethënë vetëm në qoftë se paditësja do të kishte dëshiruar të realizonte një projekt familjar falë kriokonservimit dhe mbjelljes së mëvonshme të embrioneve të saj, dhe se ajo ishte penguar për këtë për arsye të zbatimit të Ligjit nr. 40/2004.
151. Megjithatë, paditësja ka vënë në dukje në formularin e kërkesëpadisë (shih paragrafin 14 të mësipërm) dhe e ka përsëritur në seancë (shih paragrafin 116 të mësipërm) se, që prej vdekjes së bashkëjetuesit të saj, ajo nuk e kishte më ndër mend realizimin e ndonjë projekti familjar. Madje, ajo nuk ka pretenduar në asnjë moment përpara Gjykatës që t’i ishte cenuar e drejta për respektimin e jetës së saj familjare në bazë të nenit 8 të Konventës.
152. Në të vërtetë, objekti i mosmarrëveshjes për të cilën i kërkohet të shprehet Gjykatës ka të bëjë me kufizimin e së drejtës së rivendikuar nga paditësja për të vendosur rreth fatit e embrioneve të saj, e drejtë kjo që i përket shumë-shumë “jetës private”.
153. Ashtu si paditësja, Gjykata rikujton që në fillim se, sipas jurisprudencës së saj, nocioni “jetë private” në kuptimin e nenit 8 të Konventës është një nocion i gjerë që vështirë se mund të përmblidhet me një përkufizim shterues dhe i cili përfshin veçanërisht një të drejtë për vetëvendosjen (Pretty, i cituar më lart, § 61). Përveç kësaj, ky nocion e mbulon të drejtën për respektimin e vendimeve për t’u bërë ose për të mos u bërë prind (Evans, i cituar më lart, § 71, dhe A, B e C k. Irlandës [DhM], nr. 25579/05, § 212, GjEDNj 2010).
154. Në ato çështje që i është dashur të shqyrtojë te të cilat shtrohej pyetja e veçantë rreth fatit që duhet t’u caktohet embrioneve të dala nga një riprodhim me ndihmë mjekësore, Gjykata i është referuar lirisë së zgjedhjes të palëve.
155. Në çështjen Evans (të cituar më lart), duke analizuar baraspeshën që duhet të ruhet ndërmjet të drejtave konfliktuale që mund të nxjerrin nga neni 8 i Konventës palët në një trajtim me fekondim in vitro, Dhoma e Madhe ka çmuar “se nuk k[ishte] vend për t’i dhënë më shumë peshë të drejtës së paditëses për respektimin e zgjedhjes së saj për t’u bërë prind në kuptimin gjenetik të fjalës sesa asaj të [ish-bashkëjetuesit të saj] për respektimin e vullnetit të tij për të mos pasur një fëmijë biologjik me të” (Evans, i cituar më lart, § 90).
156. Përveç kësaj, në çështjen Knecht k. Rumanisë (nr. 10048/10, 2 tetor 2012), ku paditësja ankohej veçanërisht për refuzimin e autoriteteve kombëtare për të lejuar transferimin e embrioneve të saj nga qendra mjekësore ku ato ruheshin drejt një klinike të specializuar të zgjedhur prej saj, Gjykata ka gjykuar se neni 8 ishte i zbatueshëm vetëm në këndvështrimin e së drejtës për respektimin e jetës private të së interesuarës (Knecht, i cituar më lart, § 55) ndonëse kjo e fundit i ishte referuar gjithashtu një shpërfilljeje të së drejtës së vet për respektimin e jetës së saj familjare (shih paragrafin 51 të vendimit).
157. Në rrafshin e së drejtës kombëtare, Gjykata vëren se, ashtu siç e ka theksuar Qeveria në seancë, vendimi nr. 162 i 10 qershorit 2014 me anë të të cilit Gjykata Kushtetuese e ka shpallur jokushtetues ndalimin e fekondimit heterolog (shih paragrafët 34 deri në 39 të mësipërm) duhet të lejojë “birësimin për lindjen”, praktikë sipas së cilës një çift ose një grua birësojnë embrione të tepërta për qëllime mbjelljeje dhe e cila ishte parashikuar nga Komiteti Kombëtar për Bioetikën më 2005. Po ashtu, Gjykata shënon se, në vendimin në fjalë, Gjykata Kushtetuese ka qenë e mendimit se zgjedhja e paditësve për t’u bërë prindër e për të themeluar një familje me fëmijë i përkiste “lirisë së tyre për vetëvendosje lidhur me sferën e jetës së tyre private dhe familjare” (shih paragrafin 37 të mësipërm). Nga kjo rezulton që rendi juridik italian i jep gjithashtu peshë edhe lirisë së zgjedhjes së palëve në një trajtim me fekondim in vitro për sa i përket fatit të embrioneve jo të destinuara për mbjellje.
158. Në çështjen në fjalë, Gjykata duhet gjithashtu të tregojë kujdes për lidhjen që ekziston ndërmjet personit që ka përdorur një fekondim in vitro dhe embrioneve të krijuara në këtë mënyrë, e që ka të bëjë me faktin se këto të fundit përmbajnë trashëgiminë gjenetike të personit në fjalë dhe përfaqësojnë kështu një pjesë përbërëse të këtij të fundit dhe të identitetit të tij biologjik.
159. Gjykata nxjerr nga kjo si përfundim se mundësia për paditësen që të ushtrojë një zgjedhje të vetëdijshme e të menduar për sa i përket fatit që duhet t’u caktohet embrioneve të saj prek një aspekt intim të jetës së saj personale dhe i përket si e tillë së drejtës së saj për vetëvendosje. Neni 8 i Konventës, në këndvështrimin e së drejtës për respektimin e jetës private, gjen pra vend për t’u zbatuar në çështjen në fjalë.
160. Gjykata vë re së fundi se kjo ankesë nuk është haptazi e pabazuar në kuptimin e nenit 35 § 3 a) të Konventës dhe se ajo nuk ndeshet me asnjë arsye tjetër për papranueshmëri. Është pra e udhës që ajo të shpallet e pranueshme.
2. Rreth themelit të ankesës së ngritur nga paditësja
a) Rreth ekzistencës së një “ndërhyrjeje” “të parashikuar me ligj”
161. Sipas shembullit të palëve, Gjykata çmon se ndalimi i bërë nga neni 13 i Ligjit nr. 40/2004 për të dhuruar për kërkimin shkencor embrione të dala nga një fekondim in vitro jo të destinuara për mbjelljen përbën një ndërhyrje në të drejtën e paditëses për respektimin e jetës së saj private. Ajo rikujton në lidhje me këtë se, në kohën kur paditësja ka përdorur një fekondim in vitro, pika lidhur me dhurimin e embrioneve jo të mbjella të dala nga kjo teknikë nuk kishte rregulla të përcaktuar. Për rrjedhojë, deri në hyrjen në fuqi të ligjit objekt konflikti, për paditësen nuk ishte aspak e ndaluar që t’i dhuronte embrionet e saj për kërkimin shkencor.
b) Rreth drejtësisë së qëllimit të ndjekur
162. Gjatë seancës, Qeveria ka vënë në dukje se qëllimi i ndjekur nga masa objekt mosmarrëveshjeje ishte që të mbronte “atë potencialitet jete bartës i të cilit është embrioni”.
163. Gjykata rikujton se numërimi i përjashtimeve nga e drejta për respektimin e jetës private, i cili figuron në paragrafin e dytë të nenit 8, është shterues dhe se përkufizimi i këtyre përjashtimeve është kufizues. Për të qenë i pajtueshëm me Konventën, një kufizim i kësaj të drejte duhet sidomos të jetë i frymëzuar nga një qëllim i cili mund të lidhet me njërin nga ato që numëron kjo dispozitë (S.A.S. k. Francës, i cituar më lart, § 113).
164. Gjykata vë në dukje se, si në vërejtjet e saj me shkrim ashtu edhe në përgjigjen për pyetjen që i është drejtuar në seancë, Qeveria nuk u është referuar klauzolave të paragrafit të dytë të nenit 8 të Konventës.
165. Megjithatë, në vërejtjet e saj me shkrim në lidhje me nenin 8 të Konventës, Qeveria u është referuar konsideratave që ajo kishte parashtruar në fushën e nenit 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës (shih paragrafin 124 të mësipërm) sipas të cilave, në rendin juridik italian, embrioni njerëzor konsiderohet si një subjekt i së drejtës i cili duhet të përfitojë po atë respekt që duhet të tregohet për dinjitetin njerëzor (shih paragrafin 205 e mëposhtëm).
166. Gjykata vë në dukje gjithashtu se, sipas të njëjtit rend idesh, dy palë të treta (“ECLJ-ja” dhe shoqatat “Movimento per la vita”, “Scienza e vita” e “Forum delle associazioni familjari”) mbrojnë mendimin se embrioni njerëzor e ka cilësinë si “subjekt” (shih paragrafët 140 dhe 143 të mësipërm).
167. Gjykata e pranon se “mbrojtja e atij potencialiteti jete bartës i të cilit është embrioni” mund të lidhet me qëllimin e mbrojtjes së moralit dhe të të drejtave dhe lirive të të tjerëve, në kuptimin që ky nocion merret nga Qeveria, (shih gjithashtu Costa e Pavan, të cituar më lart, §§ 45 e 59). Megjithatë, kjo nuk nënkupton asnjë gjykim nga ana e Gjykatës rreth pikës nëse fjala “të tjerët” e përfshin embrionin njerëzor (A, B e C k. Irlandës, i cituar më lart, § 228).
c) Rreth domosdoshmërisë së masës në një shoqëri demokratike
i. Parimet e nxjerra nga jurisprudenca e Gjykatës në fushën e riprodhimit me ndihmë mjekësore
168. Gjykata rikujton se, për të vlerësuar “domosdoshmërinë” e një mase objekt konflikti “në një shoqëri demokratike”, asaj i duhet të shqyrtojë, në dritën e tërësisë së çështjes, nëse arsyet e përmendura për ta përligjur masën në fjalë janë me rëndësi për rastin dhe të mjaftueshme në vështrim të nenit 8 § 2 (shih, mes shumë të tjerash, S.H. me të tjerë k. Austrisë, të cituar më lart, § 91, Olsson k. Suedisë (nr. 1), 24 mars 1988, § 68, seria A nr. 130, K. e T. k. Finlandës [DhM], nr. 25702/94, § 154, GjEDNj 2001-VII, Kutzner k. Gjermanisë, nr. 46544/99, § 65, GjEDNj 2002-I, dhe P., C. e S. k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 56547/00, § 114, GjEDNj 2002-VI).
169. Përveç kësaj, për t’u shprehur rreth gjerësisë së hapësirës për vlerësim që duhet t’i jepet shtetit në një çështje që ngre pikëpyetje në vështrim të nenit 8, është me vend të merren parasysh një numër i caktuar faktorësh. Kur fjala është për një aspekt veçanërisht të rëndësishëm të ekzistencës ose të identitetit të një individi, hapësira që i lihesh shtetit është zakonisht e ngushtë (Evans, i cituar më lart, § 77, bashkë me referencat që gjenden të cituara aty, dhe Dickson k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 44362/04, § 78, GjEDNj 2007‑V). Përkundrazi, kur në gjirin e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës nuk ka konsensus, qoftë rreth rëndësisë për sa i përket interesit në lojë, qoftë rreth mjeteve më të mira për ta mbrojtur atë, veçanërisht kur çështja ngre pikëpyetje delikate morale ose etike, hapësira për vlerësim është më e gjerë (S.H. me të tjerë k. Austrisë, i cituar më lart, § 94, Evans, i cituar më lart, § 77, X, Y e Z k. Mbretërisë së Bashkuar, 22 prill 1997, § 44, Recueil des arrêts et décisions 1997‑II, Fretté k. Francës, nr. 36515/97, § 41, GjEDNj 2002-I, Christine Goodwin k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 28957/95, § 85, GjEDNj 2002‑VI, dhe A, B e C k. Irlandës, i cituar më lart, § 232).
170. Gjykata ka vërejtur gjithashtu se, sidoqoftë, “zgjedhjet e bëra nga ligjvënësi në këtë fushë nuk i shpëtojnë kontrollit [të saj]. [Asaj] i takon për detyrë që t’i shqyrtojë me vëmendje argumentet që ka pasur parasysh ligjvënësi për të arritur te ato zgjidhje që ka zgjedhur dhe që të kërkojë të shohë nëse është ruajtur një baraspeshë e drejtë ndërmjet interesave të shtetit dhe atyre të individëve të prekur drejtpërdrejt nga zgjidhjet në fjalë” (S.H. me të tjerë k. Austrisë, i cituar më lart, § 97).
171. Në çështjen e cituar më lart, Gjykata ka vërejtur gjithashtu se Parlamenti austriak nuk kishte bërë ende “një rishqyrtim të thelluar të rregullave për riprodhimin artificial në dritën e zhvillimit të shpejtë që njohin shkenca dhe shoqëria në këtë drejtim” dhe ajo ka rikujtuar se “fusha në fjalë, e cila duket se është në zhvillim të përhershëm dhe njeh zhvillime shkencore dhe juridike veçanërisht të shpejta, kërkon një shqyrtim të vazhdueshëm nga ana e shteteve kontraktuese” (S.H. me të tjerë k. Austrisë, i cituar më lart, §§ 117 e 118).
172. Në çështjen Costa e Pavan (të cituar më lart, § 64), Gjykata ka gjykuar se legjislacionit italian rreth diagnostikimit para mbjelljes i mungonte koherenca, ngaqë ai e ndalonte që mbjellja të kufizohej vetëm te embrionet e padëmtuara nga sëmundja tek e cila të interesuarit ishin bartës së shëndetshëm, ndërkohë që e lejonte paditësen ta abortonte një fetus që qenkësh prekur prej sëmundjes në fjalë.
173. Përveç kësaj, ajo ka çmuar se nuk kishte për detyrë që t’u zinte vendin autoriteteve kombëtare në zgjedhjen e rregullave më të përshtatshëm në fushën e riprodhimit me ndihmë mjekësore, duke nënvizuar në veçanti se përdorimi i teknikave të fekondimit in vitro shtron pyetje delikate të rendit moral e etik, në një fushë në zhvillim të përhershëm (Knecht, i cituar më lart, § 59).
ii. Zbatimi i parimeve të sipërpërmendura në këtë çështje
174. Gjykata rikujton që në fillim se kjo çështje nuk ka të bëjë me ndonjë projekt prindëror, ndryshe nga çështjet e cituara më sipër. Në këto kushte, ndonëse sigurisht që nuk është pa rëndësi, e drejta për t’i dhuruar embrione kërkimit shkencor, që përmend paditësja, nuk bën pjesë në thelbin e të drejtave të mbrojtura nga neni 8 i Konventës, sepse ajo nuk ka të bëjë me ndonjë aspekt veçanërisht të rëndësishëm të ekzistencës dhe të identitetit të së interesuarës.
175. Për rrjedhojë, e duke pasur parasysh parimet që dalin nga jurisprudenca e saj, Gjykata çmon se është me vend që shtetit të paditur t’i jepet një hapësirë e gjerë për vlerësim në çështjen në fjalë.
176. Përveç kësaj, ajo vëren se pika lidhur me dhurimin e embrioneve jo të destinuara për mbjellje ngre me siguri “disa pikëpyetje delikate të rendit moral dhe etik” (shih Evans, të cituar më lart, S.H. me të tjerë k. Austrisë, të cituar më lart, dhe Knecht, të cituar më lart) dhe se elementet e së drejtës së krahasuar që disponon ajo (shih paragrafët 69 deri në 76 të mësipërm) tregojnë se në këtë fushë nuk ka asnjë konsensus evropian, në kundërshtim me çka pohon paditësja (shih paragrafin 137 të mësipërm).
177. Natyrisht, disa shtete anëtare kanë përqafuar një qasje lejuese në këtë fushë: shtatëmbëdhjetë nga dyzet shtetet anëtare për të cilat Gjykata disponon informacione në këtë fushë, e lejojnë kërkimin mbi vargjet qelizore embrionale njerëzore. Atyre u shtohen ato shtete ku kjo fushë nuk është e rregulluar, por praktikat e të cilave janë lejuese në këtë fushë.
178. Megjithatë, disa shtete (Andorra, Letonia, Kroacia dhe Malta) janë pajisur me një legjislacion që e ndalon shprehimisht çdolloj kërkimi mbi qelizave embrionale. Disa të tjera i lejojnë kërkimet e këtij lloji vetëm me disa kushte të rrepta, duke kërkuar për shembull që ato të synojnë të mbrojnë shëndetin e embrionit apo që të përdorin vargje qelizore të importuara nga jashtë shtetit (i tillë është rasti i Sllovakisë, i Gjermanisë dhe i Austrisë, ashtu si edhe i Italisë).
179. Italia nuk është pra i vetmi shtet anëtar i Këshillit të Evropës që e ndalon dhurimin e embrioneve njerëzore për qëllime kërkimi shkencor.
180. Përveç kësaj, dokumentet e cituara më lart të Këshillit të Evropës dhe të Bashkimit Evropian vërtetojnë se autoritetet kombëtare gëzojnë një hapësirë të gjerë vetëgjykimi për të miratuar legjislacione kufizuese kur është fjala për shkatërrimin e embrioneve njerëzore, duke pasur parasysh sidomos disa pika të rendit etik e moral që përmban nocioni i fillimit të jetës njerëzore dhe shumëllojshmërinë e pikëpamjeve që ekziston lidhur me këtë midis shteteve të ndryshme anëtare.
181. E tillë është veçanërisht Konventa e Oviedos, neni 27 i së cilës parashikon që asnjë nga dispozitat e saj nuk duhet të interpretohet sikur e kufizon zotësinë e secilës Palë për të dhënë një mbrojtje më të gjerë ndaj zbatimeve të biologjisë dhe të mjekësisë. Dispozita të ngjashme përmbajnë Mendimi nr. 15 i miratuar më 14 nëntor 2000 nga Grupi Evropian për Etikë të Shkencave dhe të Teknologjive të Reja pranë Komisionit Evropian, Rezoluta 1352 (2003) e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës lidhur me kërkimin mbi qelizat staminale dhe Rregullorja nr. 1394/2007 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e 13 nëntorit 2007 lidhur me barnat për terapi novatore (shih paragrafin 58, pikën III germa F dhe pikën IV germa B të mësipërme).
182. Kufijtë e vendosur në rrafshin evropian synojnë më shumë të frenojnë teprimet në këtë fushë. I tillë është për shembull rasti i ndalimit që të krijohen embrione njerëzore për qëllime kërkimi shkencor, i parashikuar nga neni 18 i Konventës së Oviedos, apo i ndalimit që të patentohen shpikje shkencore procesi i përpunimit të të cilave përfshin shkatërrimin e embrioneve njerëzore (shih vendimin e Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian Oliver Brüstle k. Greenpeace eV të 18 tetorit 2011).
183. Megjithatë, hapësira për vlerësim e shtetit nuk është e pakufizuar dhe i takon Gjykatës që t’i shqyrtojë argumentet që ka pasur parasysh ligjvënësi për të arritur te zgjidhjet që ai ka zgjedhur si edhe që të kërkojë të shohë nëse është ruajtur një baraspeshë e drejtë ndërmjet interesave të shtetit dhe atyre të individëve të prekur drejtpërdrejt nga zgjidhjet në fjalë (Evans, i cituar më lart, § 86 dhe S.H. me të tjerë k. Austrisë, i cituar më lart, § 97).
184. Gjykata vë në dukje në këtë kontekst se, duke u mbështetur mbi dokumente lidhur me punimet përgatitore të Ligjit nr. 40/2004, Qeveria ka vënë në dukje gjatë seancës se hartimi i ligjit kishte shkaktuar një debat të madh i cili i kishte marrë parasysh mendimet e ndryshme si edhe pikëpyetjet shkencore dhe etike që ekzistonin në këtë fushë (shih paragrafin 127 të mësipërm).
185. Nga një raport i Komisionit XII të Përhershëm që i është paraqitur Parlamentit më 26 mars 2002 del në fakt se debati është pasuruar me ndihmesa mjekësh, specialistësh dhe shoqatash të angazhuara në fushën e riprodhimit me ndihmë mjekësore dhe se diskutimet më të gjalla kanë pasur të bëjnë në përgjithësi me sferën e lirive individuale, duke i vënë ithtarët e një koncepti laik për shtetin ballë për ballë me përkrahësit e një qasjeje fetare të këtij të fundit.
186. Për më tepër, gjatë debateve të 19 janarit 2004, Ligji nr. 40/2004 ishte kritikuar gjithashtu ndër të tjera sepse njohja nga ana e nenit të parë të tij e cilësisë së embrionit si subjekt i së drejtës sillte për mendimin e disave një varg ndalimesh, sidomos atë për t’iu drejtuar fekondimit heterolog apo për të përdorur për qëllime kërkimi shkencor embrione të kriokonservuara që nuk ishin të destinuara për mbjellje.
187. Nga ana tjetër, nën shembullin e Qeverisë, Gjykata rikujton se Ligji nr. 40/2004 ka qenë objekt i disa referendumeve, të cilat kanë dështuar për mungesë kuorumi. Me qëllim për të nxitur zhvillimin e kërkimit shkencor në Itali në fushën e sëmundjeve të vështira për t’u shëruar, njëri nga këto të fundit propozonte veçanërisht shfuqizimin e asaj klauzole të nenit 13 e cila ia nënshtron lejen për të kryer kërkime shkencore mbi embrionet kushtit që të mbrohen shëndeti dhe zhvillimi i tyre.
188. Gjykata vë re kështu se, gjatë procesit të hartimit të ligjit objekt mosmarrëveshjeje, ligjvënësi i kishte marrë tashmë parasysh interesat e ndryshëm të vënë këtu në pikëpyetje, sidomos atë të shtetit për të mbrojtur embrionin dhe atë të personave të interesuar për të ushtruar të drejtën e tyre për vetëvendosje individuale në trajtën e një dhurimi të embrioneve të veta për kërkimin.
189. Gjykata vë në dukje pastaj që paditësja pretendon se legjislacioni italian lidhur me riprodhimin me ndihmë mjekësore është jokoherent, me qëllim që të vërtetojë natyrën e shpërpjesëtuar të ndërhyrjes për të cilën ajo ankohet.
190. Në vërejtjet e saj me shkrim dhe në seancë, e interesuara ka nënvizuar në veçanti se ishte e vështirë që mbrojtja e embrionit ku e vinte theksin Qeveria të pajtohej, në njërën anë, me mundësinë për një grua që t’i drejtohej ligjërisht një aborti terapeutik deri në muajin e tretë të shtatzënisë dhe, në anën tjetër, me përdorimin nga ana e hulumtuesve italianë të vargjeve qelizore embrionale të dala nga embrione që ishin shkatërruar jashtë shtetit.
191. Gjykata nuk ka aspak për detyrë të analizojë in abstracto koherencën e legjislacionit italian në këtë fushë. Që të kenë rëndësi në lidhje me qëllimet e shqyrtimit të saj, kontradiktat e denoncuara nga paditësja duhet të kenë të bëjnë me objektin e ankesës që ajo bën përpara Gjykatës, konkretisht me kufizimin e së drejtës së saj për vetëvendosje për sa i përket fatit që duhet t’u caktohet embrioneve të saj (shih, mutatis mutandis, Olsson (nr. 1), të cituar më lart, § 54, dhe Knecht, të cituar më lart, § 59).
192. Për sa u përket kërkimeve të kryera në Itali mbi vargje qelizore embrionale të importuara, të dala nga embrione që ishin shkatërruar jashtë shtetit, Gjykata vëren se, sado që e drejta e përmendur nga paditësja për të vendosur për fatin e embrioneve të saj është e lidhur me dëshirën e saj për të dhënë ndihmesë për kërkimin shkencor, prapëseprapë aty nuk ka përse të shihet një rrethanë që e prek drejtpërdrejt të interesuarën.
193. Për më tepër, Gjykata e mban shënim informacionin e dhënë gjatë seancës nga Qeveria, se vargjet e qelizave embrionale të përdorura nëpër laboratorët italianë për qëllime kërkimore nuk janë prodhuar asnjëherë me kërkesën e autoriteteve italiane.
194. Ajo pajtohet me mendimin e Qeverisë se shkatërrimi i vullnetshëm e aktiv i një embrioni njerëzor nuk mund të konsiderohet njëlloj me përdorimin e vargjeve qelizore të dala nga embrione njerëzore të shkatërruara në një stad të mëparshëm.
195. Ajo nxjerr këndej si konkluzion se, edhe sikur të ishin të vërtetuara, jokoherencat e legjislacionit që pretendohen nga ana e paditëses nuk janë të tilla që ta prekin drejtpërdrejt të drejtën së cilës ajo i referohet në këtë çështje.
196. Së fundi, Gjykata konstaton se, në këtë çështje, zgjedhja për t’i dhuruar embrionet objekt konflikti për kërkimin shkencor rezulton të jetë vetëm vullneti i paditëses, përderisa bashkëjetuesi i saj ka vdekur. Mirëpo Gjykata nuk ka në dorë asnjë element që të dëshmojë se ky i fundit, i cili ishte i interesuar për embrionet në fjalë po aq sa paditësja në kohën e fekondimit, do të kishte bërë të njëjtën zgjedhje. Nga ana tjetër, kjo situatë nuk është as objekt për ndonjë rregullore në rrafshin e brendshëm.
197. Për arsyet e paraqitura më sipër, Gjykata çmon se në çështjen në fjalë Qeveria nuk e ka tejkaluar hapësirën e gjerë për vlerësim që gëzon ajo në këtë fushë dhe se ndalimi objekt mosmarrëveshjeje ishte “i domosdoshëm në një shoqëri demokratike” në kuptimin e nenit 8 § 2 të Konventës.
198. Kështu që nuk ka pasur shkelje të së drejtës së paditëses për respektimin e jetës së saj private në lidhje me nenin 8 të Konventës.
V. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 1 TË PROTOKOLLIT NR. 1 TË KONVENTËS
199. Duke iu referuar nenit 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës, paditësja ankohet që nuk mund t’i dhurojë embrionet e saj dhe që është e detyruar t’i mbajë ato në gjendje kriokonservimi deri në vdekjen e tyre. Neni 1 i Protokollit nr. 1 të Konventës përcakton:
“Çdo person fizik ose juridik ka të drejtë për respektimin e pasurisë së tij. Askujt nuk mund t’i hiqet prona e vet përveçse për arsye dobie publike dhe brenda kushteve të parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Dispozitat e mësipërme nuk e cenojnë të drejtën që kanë shtetet për t’i vënë në fuqi ligjet që ato gjykojnë të nevojshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm ose për të siguruar pagimin e taksave apo të kontributeve të tjera ose të gjobave.”
A. Argumentet e palëve
1. Argumentet e Qeverisë
200. Qeveria parashtron në radhë të parë se embrioni njerëzor nuk mund të konsiderohet si një “send” dhe se është sidoqoftë e papranueshme që atij t’i caktohet një vlerë ekonomike. Ajo nënvizon pastaj se, në rendin juridik italian, embrioni njerëzor konsiderohet si një subjekt i së drejtës i cili duhet të përfitojë po atë respekt që duhet të tregohet për dinjitetin njerëzor.
201. Nga ana tjetër, ajo mbron mendimin se Gjykata u njeh shteteve anëtare një hapësirë të gjerë për vlerësim lidhur me përcaktimin e fillimit të jetës njerëzore (Evans, i cituar më lart, § 56), sidomos në fusha si kjo e fundit, ku bëhet fjalë për çështje të koklavitura morale dhe etike të cilat nuk janë objekt i një konsensusi në gjirin e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës.
202. Ajo nxjerr këndej konkluzionin se në çështjen në fjalë nuk mund të zbulohet kurrfarë shkeljeje e nenit 1 të Protokollit nr. 1.
2. Argumentet e paditëses
203. Paditësja mbron mendimin se embrionet e krijuara me anë të fekondimit in vitro nuk mund të konsiderohen si “individë” përderisa, në mungesë të ndonjë mbjelljeje, ato nuk janë të destinuara që të zhvillohen për t’u kthyer në fetuse e për të lindur. Ajo nxjerr këndej si përfundim se, nga pikëpamja juridike, ato janë “pasuri”.
204. Në këto kushte, ajo çmon se e ka një të drejtë prone mbi embrionet e saj. Mirëpo ajo është e mendimit se shteti ka bërë aty disa kufizime që nuk përligjen me asnjë arsye interesi të përgjithshëm, meqenëse mbrojtja e potencialitetit të jetës mbartës të të cilit qenkan embrionet nuk mund të sillet në mënyrë të arsyeshme si argument, përderisa ato janë të destinuara që të eliminohen.
3. Vërejtjet e palëve të treta
a) Qendra Evropiane për Drejtësinë dhe të Drejtat e Njeriut (“ECLJ”)
205. ECLJ-ja mbron mendimin se embrionet nuk ka sesi të konsiderohen si “sende” dhe se ato nuk mund të shkatërrohen pra në mënyrë të vullnetshme. Nga ana tjetër, ajo parashtron se nocioni “pasuri” ka në vetvete një ngjyrim ekonomik që duhet të përjashtohet në rastin e embrioneve njerëzore.
206. Së fundi, ajo vë në dukje se Gjykata i lejon shtetet që ta përcaktojnë në rendin e tyre të brendshëm juridik “pikënisjen e së drejtës për jetën” (Vo k. Francës [DhM], nr. 53924/00, § 82, GjEDNj 2004‑VIII) dhe se, në këtë fushë, ajo u jep atyre një hapësirë të gjerë për vlerësim (A, B e C k. Irlandës, i cituar më lart, § 237).
b) Shoqatat “Movimento per la vita”, “Scienza e vita” dhe “Forum delle associazioni familjari”, të përfaqësuara nga Z. Carlo Casini
207. Këto palë të treta e përjashtojnë që embrioni njerëzor të mund të shihet si një “send”.
208. Përveç kësaj, ato parashtrojnë se legjislacioni italian në këtë fushë është koherent. Ndonëse ato e pranojnë që ky i fundit e lejon abortin terapeutik, ato saktësojnë se kjo mundësi nuk ka të bëjë me caktimin e cilësisë si “send” për embrionin, por me marrjen parasysh të interesave të ndryshëm për të cilët është fjala, sidomos të atij të nënës.
c) Shoqatat “Luca Coscioni”, “Amica Cicogna Onlus”, “L’altra cicogna Onlus” e “Cerco bimbo” si edhe dyzet e gjashtë anëtarë të Parlamentit italian, të përfaqësuar nga Znja Filomena Gallo
209. Znja Gallo përsërit konsideratat e parashtruara prej paditëses lidhur me statusin e embrionit.
d) Shoqatat “VOX – Osservatorio italiano sui Diritti”, “SIFES – Society of Fertility, Sterility and Reproductive Medicine” dhe “Cittadinanzattiva”, të përfaqësuara nga Znja Maria Elisa D’Amico, Znja Maria Paola Costantini, Z. Massimo Clara, Znja Chiara Ragni dhe Znja Benedetta Liberali
210. Këto palë të treta nuk kanë paraqitur vërejtje në këndvështrimin e nenit 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës.
B. Vlerësimi i Gjykatës
1. Parimet që dalin nga jurisprudenca e Gjykatës
211. Gjykata rikujton se nocioni “pasuri” në kuptimin e nenit 1 të Protokollit nr. 1 ka një kuptim autonom që nuk kufizohet vetëm te pronësia e pasurive të trupëzuara dhe që është i pavarur nga klasifikimi formal në të drejtën e brendshme: disa të drejta e interesa të tjerë që përbëjnë asete mund të paraqiten gjithashtu edhe si “të drejta pronësore” e pra si “pasuri” në vështrimin e kësaj dispozite. Në çdo çështje, ka rëndësi që të shqyrtohet nëse rrethanat, të vështruara në tërësinë e tyre, e kanë bërë paditësin pronar të një interesi substancial të mbrojtur nga neni 1 i Protokollit nr. 1 (Iatridis k. Greqisë [DhM], nr. 31107/96, § 54, GjEDNj 1999‑II, Beyeler k. Italisë [DhM], nr. 33202/96, § 100, GjEDNj 2000‑I, dhe Broniowski k. Polonisë [DhM], nr. 31443/96, § 129, GjEDNj 2004-V).
212. Neni 1 i Protokollit nr. 1 vlen vetëm për pasuritë ekzistuese. Një e ardhur e ardhshme mund të konsiderohet pra si një “pasuri” vetëm në qoftë se është fituar tashmë apo në qoftë se është objekt i një kreditimi të sigurt. Përveç kësaj, si “pasuri” nuk mund të konsiderohen as shpresa për t’u njohur një e drejtë pronësie që është pamundur të ushtrohet efektivisht, as një kreditim me kusht që mbetet i pavlefshëm për shkak të mosrealizimit të kushtit (Gratzinger e Gratzingerova k. Republikës Çeke (vend. pran.) [DhM], nr. 39794/98, § 69, GjEDNj 2002-VII).
213. Megjithatë, në disa rrethana, nga mbrojtja e nenit 1 të Protokollit nr. 1 mund të përfitojë gjithashtu edhe “shpresa e arsyeshme” për të fituar një vlerë pronësore. Kështu, kur interesi pronësor është me natyrë kreditimi, mund të mendohet se i interesuari e ka një shpresë të arsyeshme në qoftë se një interes i tillë paraqitet me një bazë të mjaftueshme në të drejtën e brendshme, për shembull kur ai përforcohet nga një jurisprudencë e mirëpërcaktuar e gjykatave (Kopecký k. Sllovakisë [DhM], nr. 44912/98, § 52, GjEDNj 2004-IX).
2. Zbatimi i parimeve të sipërpërmendura në këtë çështje
214. Gjykata vë në dukje se kjo çështje shtron pyetjen paraprake rreth zbatueshmërisë së nenit 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës ndaj fakteve të kësaj çështjeje. Ajo mban shënim që palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta rreth kësaj pike, sidomos për sa i përket statusit të embrionit njerëzor in vitro.
215. Ajo çmon megjithatë se nuk është e nevojshme që të merret këtu në shqyrtim pika delikate dhe e diskutueshme e fillimit të jetës njerëzore, përderisa në këtë çështje nuk bëhet fjalë për nenin 2 të Konventës. Për sa i përket nenit 1 të Protokollit nr. 1, Gjykata është e mendimit se ai nuk zbatohet në rastin e tanishëm. Ç’është e vërteta, duke pasur parasysh qëllimin ekonomik e pronësor të këtij neni, embrionet njerëzore nuk mund të katandisen në “pasuri” në kuptimin e kësaj dispozite.
216. Meqenëse neni 1 i Protokollit nr. 1 të Konventës nuk është i zbatueshëm në këtë çështje, kjo pjesë e kërkesëpadisë duhet të rrëzohet si e papajtueshme ratione materiae me dispozitat e Konventës, në kuptimin e nenit 35 §§ 3 e 4 të kësaj të fundit.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Rrëzon, njëzëri, prapësimin e bërë nga Qeveria për mosshterim të mjeteve të brendshme për ankim;
2. Rrëzon, me shumicë votash, prapësimin e bërë nga Qeveria për vonesë të kërkesëpadisë;
3. Rrëzon, me shumicë votash, prapësimin e bërë nga Qeveria në bazë të mungesës së cilësisë si viktimë të paditëses;
4. E shpall, me shumicë votash, kërkesëpadinë të pranueshme për sa i përket ankesës së bërë mbi bazën e nenit 8 të Konventës;
5. E shpall, me shumicë votash, kërkesëpadinë të papranueshme për sa i përket ankesës së bërë mbi bazën e nenit 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës;
6. Thotë, me gjashtëmbëdhjetë vota në favor dhe një kundër, se nuk ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës.
I hartuar në frëngjisht dhe në anglisht, pastaj i shpallur në seancë publike në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 27 gusht 2015.
Johan CallewaertDean Spielmann
ZëvendëssekretarKryetar
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të Rregullores, paraqitja e mendimeve më vete të mëposhtëm:
– mendim pajtues i gjyqtarit Pinto de Albuquerque;
– mendim pajtues i gjyqtarit Dedov;
– mendim pjesërisht pajtues i përbashkët i gjyqtarëve Casadevall, Raimondi, Berro, Nicolaou dhe Dedov;
– mendim pjesërisht kundërshtues i përbashkët i gjyqtarëve Casadevall, Ziemele, Power-Forde, De Gaetano dhe Yudkivska;
– mendim pjesërisht kundërshtues i gjyqtarit Nicolaou;
– mendim kundërshtues i gjyqtarit Sajó.
D.S.
J.C.
Mendimet më vete nuk janë përkthyer, por janë në anglisht dhe/ose në frëngjisht në variant(in/et) e vendimit në gjuhë zyrtare dhe mund të shihen bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
[1]. Andorrë, Armeni, Austri, Azerbajxhan, Belgjikë, Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, Republika Çeke, Estoni, Finlandë, Francë, Gjeorgji, Gjermani, Greqi, Hungari, Irlandë, Letoni, Lihtenshtajn, Lituani, Luksemburg, “ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë”, Maltë, Republika e Moldavisë, Monako, Vendet e Ulëta, Poloni, Portugali, Rumani, Rusi, San-Marino, Serbi, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Suedi, Zvicër, Turqi, Mbretëria e Bashkuar dhe Ukrainë.
[2]. Bullgari, Republika Çeke, Estoni, Finlandë, “ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë”, Francë, Greqi, Hungari, Vendet e Ulëta, Portugali, Serbi, Slloveni, Spanjë dhe Zvicër.
[3] Qeliza embrionale ende të padiferencuara, secila nga të cilat, e veçuar, është e aftë të zhvillohet si një organizëm i plotë (Fjalori mjekësor Larousse).
Full & Egal Universal Law Academy