© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
Shënim informativ rreth jurisprudencës së Gjykatës 188
Gusht-Shtator 2015
Parrillo k. Italisë [DhM] - 46470/11
Vendim 27.8.2015 [DhM]
Neni 8
Neni 8-1
Respektimi i jetës private
Ndalimi i dhurimit për kërkimin shkencor të embrioneve të dala nga një fekondim in vitro: jo shkelje
Faktet – Më 2002, paditësja përdori teknikat e riprodhimit me ndihmë mjekësore, duke bërë një fekondim in vitro me bashkëjetuesin e saj në një qendër për mjekësi riprodhuese (“qendra”). Pesë embrionet e dala nga ky fekondim u kriokonservuan, por bashkëjetuesi i paditëses vdiq përpara se të bëhej ndonjë mbjellje. Pasi kishte hequr dorë nga nisja e një shtatzënie, paditësja vendosi t’i dhurojë embrionet e saj për kërkimin shkencor për të dhënë ndihmesë në përparimin e trajtimit të sëmundjeve të vështira për t’u shëruar.
Për këtë qëllim, ajo formuloi gojarisht disa kërkesa për vënie në dispozicion të embrioneve të saj pranë qendrës ku ruheshin këto të fundit, por pa rezultat. Me anë të një letre të datës 14 dhjetor 2011, paditësja i kërkoi drejtorit të qendrës që t’ia vinte asaj në dispozicion të pesë embrionet e kriokonservuar, me qëllim që këto të fundit të shërbenin për kërkimin mbi qelizat staminale. Drejtori e rrëzoi atë kërkesë, duke vënë në dukje se ky lloj kërkimesh ishte i ndaluar dhe sanksionohej penalisht në Itali, në zbatim të nenit 13 të Ligjit nr. 40 të 19 shkurtit 2004 (“ligji”).
Embrionet në fjalë ruhen sot në bankën kriogjenike të qendrës.
Ligji – Neni 8 i Konventës
a) Zbatueshmëria – Gjykatës i kërkohet për herë të parë që të shprehet rreth pikës nëse “e drejta për respektimin e jetës private” e garantuar nga neni 8 i Konventës mund ta përfshijë të drejtën së cilës i referohet paditësja përpara saj, konkretisht atë për të disponuar embrione të dala nga një fekondim in vitro me qëllimin për t’i dhuruar ato për kërkimin shkencor.
Objekti i mosmarrëveshjes ka të bëjë me kufizimin e së drejtës së rivendikuar nga paditësja për të vendosur rreth fatit të embrioneve të saj, e drejtë që i përket shumë-shumë “jetës private”. Në çështjet ky shtrohej pika e veçantë e fatit që duhet t’u caktohet embrioneve të dala nga një riprodhim me ndihmë mjekësore, Gjykata i është referuar lirisë së zgjedhjes të palëve. Rendi juridik italian i jep gjithashtu peshë lirisë së zgjedhjes të palëve në një trajtim me fekondim in vitro për sa i përket fatit të embrioneve jo të destinuara për mbjellje.
Në çështjen në fjalë, Gjykata duhet gjithashtu të tregojë kujdes për lidhjen që ekziston ndërmjet personit që ka përdorur një fekondim in vitro dhe embrioneve të krijuara në këtë mënyrë, e që ka të bëjë me faktin se këto të fundit përmbajnë trashëgiminë gjenetike të personit në fjalë dhe përfaqësojnë kështu një pjesë përbërëse të këtij të fundit dhe të identitetit të tij biologjik.
Kështu, mundësia për paditësen që të ushtrojë një zgjedhje të vetëdijshme e të menduar për sa i përket fatit që duhet t’u caktohet embrioneve të saj prek një aspekt intim të jetës së saj personale dhe i përket si e tillë së drejtës së saj për vetëvendosje. Neni 8 i Konventës, në këndvështrimin e së drejtës për respektimin e jetës private, gjen pra vend për t’u zbatuar në çështjen në fjalë.
b) Themeli – Ndalimi i bërë nga ligji për të dhuruar për kërkimin shkencor embrione të dala nga një fekondim in vitro jo të destinuara për mbjelljen përbën një ndërhyrje në të drejtën e paditëses për respektimin e jetës së saj private. Në kohën kur paditësja ka përdorur një fekondim in vitro, pika lidhur me dhurimin e embrioneve jo të mbjella të dala nga kjo teknikë nuk kishte rregulla të përcaktuar. Për rrjedhojë, deri në hyrjen në fuqi të ligjit objekt mosmarrëveshjeje, për paditësen nuk ishte aspak e ndaluar që t’i dhuronte embrionet e saj për kërkimin shkencor.
Gjykata e pranon se “mbrojtja e atij potencialiteti jete bartës i të cilit është embrioni” mund të lidhet me qëllimin e mbrojtjes së moralit dhe të të drejtave dhe lirive të të tjerëve. Megjithatë, kjo nuk nënkupton asnjë gjykim nga ana e Gjykatës rreth pikës nëse fjala “të tjerët” e përfshin embrionin njerëzor, në kuptimin në të cilin ky nocion merret nga Qeveria, konkretisht se, në rendin juridik italian, embrioni njerëzor konsiderohet si një subjekt i së drejtës i cili duhet të përfitojë po atë respekt që duhet të tregohet për dinjitetin njerëzor.
Jo pa rëndësi, e drejta për të dhuruar embrione për kërkimin shkencor, që përmend paditësja, nuk bën pjesë në thelbin e të drejtave të mbrojtura nga neni 8 i Konventës, sepse ajo nuk ka të bëjë me ndonjë aspekt veçanërisht të rëndësishëm të ekzistencës dhe të identitetit të së interesuarës. Për rrjedhojë, e duke pasur parasysh parimet që dalin nga jurisprudenca e Gjykatës, është me vend që shtetit të paditur t’i jepet një hapësirë e gjerë për vlerësim në çështjen në fjalë.
Përveç kësaj, pika lidhur me dhurimin e embrioneve jo të destinuara për mbjellje ngre “disa pikëpyetje delikate të rendit moral dhe etik”. Në këtë fushë nuk ka asnjë konsensus evropian kur dihet që disa shtete e lejojnë kërkimin mbi vargjet qelizore embrionale njerëzore, disa të tjera e ndalojnë atë shprehimisht e disa të tjera i lejojnë kërkimet e këtij lloji vetëm me disa kushte të rrepta, duke kërkuar për shembull që ato të synojnë të mbrojnë shëndetin e embrionit apo që të përdorin vargje qelizore të importuara nga jashtë shtetit.
Instrumentet ndërkombëtare vërtetojnë se autoritetet kombëtare gëzojnë një hapësirë të gjerë vetëgjykimi për të miratuar legjislacione kufizuese kur është fjala për shkatërrimin e embrioneve njerëzore. Kufijtë e vendosur në rrafshin evropian synojnë më shumë të frenojnë teprimet në këtë fushë.
Hartimi i ligjit kombëtar objekt mosmarrëveshjeje kishte shkaktuar një debat të madh i cili i kishte marrë parasysh mendimet e ndryshme si edhe pikëpyetjet shkencore dhe etike që ekzistonin në këtë fushë. Ai ishte bërë objekt i disa referendumeve, të cilat kanë dështuar për mungesë kuorumi. Kështu, gjatë procesit të hartimit të ligjit objekt mosmarrëveshjeje, ligjvënësi i kishte marrë tashmë parasysh interesat e ndryshëm të vënë këtu në pikëpyetje, sidomos atë të shtetit për të mbrojtur embrionin dhe atë të personave të interesuar për të ushtruar të drejtën e tyre për vetëvendosje individuale në trajtën e një dhurimi të embrioneve të veta për kërkimin.
Paditësja pretendon se legjislacioni italian lidhur me riprodhimin me ndihmë mjekësore është jokoherent, me qëllim që të vërtetojë natyrën e shpërpjesëtuar të ndërhyrjes për të cilën ajo ankohet. Gjykata nuk ka aspak për detyrë të analizojë in abstracto koherencën e legjislacionit italian në këtë fushë. Që të kenë rëndësi në lidhje me qëllimet e shqyrtimit të saj, kontradiktat e denoncuara nga paditësja duhet të kenë të bëjnë me objektin e ankesës që ajo bën përpara Gjykatës, konkretisht me kufizimin e së drejtës së saj për vetëvendosje për sa i përket fatit që duhet t’u caktohet embrioneve të saj.
Për sa u përket kërkimeve të kryera në Itali mbi vargje qelizore embrionale të importuara të dala nga embrione që ishin shkatërruar jashtë shtetit, sado që e drejta e përmendur nga paditësja për të vendosur për fatin e embrioneve të saj është e lidhur me dëshirën e saj për të dhënë ndihmesë për kërkimin shkencor, prapëseprapë aty nuk ka përse të shihet një rrethanë që e prek drejtpërdrejt të interesuarën. Për më tepër, vargjet e qelizave embrionale të përdorura nëpër laboratorët italianë për qëllime kërkimore nuk janë prodhuar asnjëherë me kërkesën e autoriteteve italiane. Po ashtu, shkatërrimi i vullnetshëm e aktiv i një embrioni njerëzor nuk mund të konsiderohet njëlloj me përdorimin e vargjeve qelizore të dala nga embrione njerëzore të shkatërruara në një stad të mëparshëm.
Edhe sikur të ishin të vërtetuara, jokoherencat e legjislacionit që pretendohen nga ana e paditëses nuk janë të tilla që ta prekin drejtpërdrejt të drejtën së cilës ajo i referohet në këtë çështje.
Së fundi, zgjedhja për t’i dhuruar embrionet objekt konflikti për kërkimin shkencor rezulton të jetë vetëm vullneti i paditëses, përderisa bashkëjetuesi i saj ka vdekur. Mirëpo nuk ka asnjë element që të dëshmojë se ky i fundit, i cili ishte i interesuar për embrionet në fjalë po aq sa paditësja në kohën e fekondimit, do të kishte bërë të njëjtën zgjedhje. Nga ana tjetër, kjo situatë nuk është as objekt për ndonjë rregullore në rrafshin e brendshëm.
Kështu, Qeveria nuk e ka tejkaluar hapësirën e gjerë për vlerësim që gëzon ajo në këtë fushë dhe ndalimi objekt mosmarrëveshjeje ishte i domosdoshëm në një shoqëri demokratike.
Përfundimi: jo shkelje (gjashtëmbëdhjetë vota në favor dhe një kundë).
Neni 1 i Protokollit nr. 1: Për sa i përket zbatueshmërisë së nenit 1 të Protokollit nr. 1 ndaj fakteve të kësaj çështjeje, palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta, sidomos për sa i përket statusit të embrionit njerëzor in vitro. Megjithatë, nuk është e nevojshme që të merret këtu në shqyrtim pika delikate dhe e diskutueshme e fillimit të jetës njerëzore, përderisa në këtë çështje nuk bëhet fjalë për nenin 2 të Konventës.
Për sa i përket nenit 1 të Protokollit nr. 1, ai nuk zbatohet në rastin e tanishëm. Ç’është e vërteta, duke pasur parasysh qëllimin ekonomik e pronësor të këtij neni, embrionet njerëzore nuk mund të katandisen në “pasuri” në kuptimin e kësaj dispozite. Kjo pjesë e kërkesëpadisë rrëzohet pra si e papajtueshme ratione materiae.
Përfundimi: e papranueshme (njëzëri).
© Këshilli i Evropës /Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut
E hartuar nga sekretaria, kjo përmbledhje nuk e kushtëzon Gjykatën.
Klikoni këtu për të hyrë te Shënimet informative rreth jurisprudencës
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015.
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund) Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy