Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut
SEKSION I KATËRT
ÇËSHTJA PETROPAVLOVSKIS k. LETONISË
(Kërkesa nr. 44230/06)
VENDIM
STRASBURG
13 Janar 2015
Përfundimtar
01/06/2015
Ky vendim është përfundimtar sipas nenit 44 § 2 të Konventës. Ai mund t’i nënshtrohet rishikimit redaktues.
Në çështjen e Petropavlovskis k. Letonisë,
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (Seksioni i katërt), me trup gjykues të përbërë prej:
Päivi Hirvelä, Kryetare,
Ineta Ziemele,
George Nicolaou,
Ledi Bianku,
Zdravka Kalaydjieva,
Krzysztof Wojtyczek,
Faris Vehabović, Gjyqtarë,
dhe Françoise Elens-Passos, Kancelar i Seksionit,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura në datat 18 nëntor dhe 9 dhjetor 2014,
Jep këtë vendim, i cili u mor në datën e fundit të lartpërmendur:
PROCEDURA
1. Çështja ka filluar në bazë të kërkesës (nr.44230/06) kundër Republikës së Letonisë drejtuar në Gjykatë, sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa") nga një “rezident i përhershëm jo-shtetas” i Republikës së Letonisë, Z. Jurijs Petropavlovskis (“kërkuesi”), më 10 tetor 2006.
2. Kërkuesi u përfaqësua nga Z. A. Dimitrovs, avokat që ushtron aktivitetin në Bruksel. Qeveria letoneze (“Qeveria”) u përfaqësua nga agjentet e saj Znj. Reine dhe më pas nga Znj. K. Līce.
3. Kërkuesi u ankua në bazë të neneve 10, 11 dhe 13 të Konventës se refuzimi i pretenduar arbitrar i dhënies së shtetësisë letoneze me natyralizim ishte një masë ndëshkuese ndaj tij, pasi ai kishte shprehur ide dhe kishte ushtruar të drejtën e tij të tubimit paqësor duke kritikuar qëndrimin e Qeverisë.
4. Me një vendim të datës 3 qershor 2008, Gjykata e shpalli kërkesën të pranueshme dhe ia bashkoi shqyrtimit të themelit, kundërshtimin e Qeverisë për juridiksionin ratione materiae të Gjykatës.
5. Kërkuesi dhe Qeveria parashtruan vëzhgime të mëtejshme me shkrim (neni 59 § 1 i Rregullores së Gjykatës) mbi themelin.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
6. Kërkuesi ka lindur më 1955 dhe jeton në Riga.
7. Para se Parlamenti i Letonisë (Saeima) të miratonte Ligjin për Arsimin më 29 tetor 1998, arsimi në shkollat shtetërore dhe komunale vazhdonte të zhvillohej në letonisht dhe rusisht, një praktikë e trashëguar nga koha sovjetike. Ligji i Arsimit, i cili hyri në fuqi më 1 qershor 1999, parashikonte se gjuha në të cilën do të zhvillohej mësimi në të gjitha shkollat shtetërore dhe komunale në Republikën e Letonisë do të ishte gjuha zyrtare, pra, letonishtja. Në këtë ligj parashikohej gjithashtu se mund të përdorej një gjuhë tjetër në shkollat private, në shkollat shtetërore dhe komunale që zbatojnë kurrikula për pakicat kombëtare dhe në institucione të tjera arsimore, të parashikuara me ligj. Për sa i përket shkollave shtetërore dhe komunale të cilat zbatonin kurrikula për pakicat kombëtare, Ministria e Arsimit duhet të përcaktonte
lëndët shkollore të cilat do të zhvilloheshin në gjuhën zyrtare (neni 9 (1) dhe (2)) dhe ngarkohej Ministria e Arsimit të paraqiste rregullimet përkatëse në Këshillin e Ministrave deri më 1 shtator 1999 (dispozitat kalimtare, paragrafi 3). Për më tepër ligji në fjalë parashikonte se të gjithë duhet të mësonin gjuhën zyrtare dhe të kalonin testin e aftësisë së gjuhës në mënyrë që të merrnin edukimin fillor dhe të mesëm (neni 9 (3)).
8. Ndërmjet viteve 2003 dhe 2004, kërkuesi u përfshi aktivisht në protestat kundër reformës në arsim. Ai ishte një nga udhëheqësit kryesorë të një lëvizjeje të quajtur "Shtabi për Mbrojtjen e Shkollave Ruse" (në letonisht "Krievu skolu aizstāvības štābs "), e cila ishte e përfshirë në promovimin dhe mbrojtjen e protestave kundër kësaj reforme. Ai kishte marrë pjesë në takime dhe demonstrata kundër reformës në arsim dhe kishte bërë deklarata publike që mbronin të drejtën e komunitetit rusisht-folës për edukimin në gjuhën ruse dhe idenë e vazhdimit të funksionimit të shkollave të financuara nga shteti ku mësimi zhvillohej vetëm në gjuhën ruse. Qeveria i paraqiti Gjykatës prova të mbulimit mediatik të këtyre protestave për periudhën nga 28 qershori 2003 deri më 23 shtator 2005, duke përfshirë edhe raportet e lajmeve nga Agjencia letoneze e lajmeve LETA dhe artikuj të gazetave ditore Dieną dhe Lauku Avīze dhe të gazetës rajonale Novaja Gazeta (në rusisht). Gjykatës iu paraqitën trembëdhjetë raporte të lajmeve dhe artikujve në total.
9. Pas disa takimeve dhe demonstratave me pjesëmarrje të konsiderueshme, Parlamenti miratoi ndryshimet në Ligjin për Arsimin më 5 shkurt 2004. Ndryshimet e reja parashikonin që duke filluar nga 1 shtatori 2004 në të gjitha shkollat e mesme shtetërore dhe komunale që zbatonin kurrikula për pakicën kombëtare do të zhvillohej në gjuhën zyrtare jo më pak se 60% e programit të studimit, përfshirë edhe gjuhët e huaja, në lidhje me nxënësit që fillonin studimet e klasës së dhjetë. Gjithashtu, këto shkolla duhet të siguronin që kurrikula në lidhje me gjuhën e pakicës, identitetin dhe kulturën të zhvilloheshin në gjuhën e pakicës (dispozita kalimtare, paragrafi 3).
10. Në nëntor 2003 kërkuesi aplikoi në Bordin e Natyralizimit (Naturalizācijas Pārvalde) për të marrë shtetësinë letoneze përmes natyralizimit. Më 1 dhjetor 2003 kaloi provimet e natyralizimit (shih paragrafin 29 më poshtë).
11. Bordi i Natyralizimit shqyrtoi dokumentet e paraqitura nga kërkuesi dhe pasi konstatoi se përmbushin kërkesat e neneve 11 dhe 12 të Ligjit mbi Shtetësinë, e përfshinë emrin e tij në listën e kandidatëve që aplikojnë për shtetësi. Listës iu bashkëngjit projekt-vendimi për dhënien e shtetësisë dhe u dërgua për miratim në Këshillin e Ministrave (Ministru kabinets).
12. Më 16 nëntor 2004, Këshilli i Ministrave vendosi heqjen e emrit të kërkuesit nga lista, duke refuzuar kështu kërkesën e tij për natyralizim.
13. Më 30 nëntor 2004, Bordi Natyralizimit informoi kërkuesin për vendimin e Këshillit të Ministrave.
14. Më 7 dhjetor 2004, kërkuesi nisi procedimet administrative kundër Këshillit të Ministrave. Ai i kërkoi Gjykatës Administrative të Rrethit (Administratīvā rajona tiesa) "të detyrojë Këshillin e Ministrave për të pranuar kërkesën e tij për marrjen e shtetësisë letoneze". Kërkuesi deklaroi se vendimi për marrjen e shtetësisë letoneze ishte një akt administrativ dhe nuk mund të konsiderohet si një vendim politik. Ai vërejti inter alia se një person e përmbush detyrimin e besnikërisë, nëse ai plotëson të gjitha kërkesat e Ligjit mbi Shtetësinë dhe nëse nuk është objekt i ndonjë përjashtimi të përcaktuar në ligj. Ai e konsideroi të paligjshëm refuzimin për t’i dhënë shtetësinë; në përputhje me parimin e trajtimit të barabartë, pikëpamjet e tij nuk mund të përbënin bazë për refuzim. Kërkuesi pretendoi se emri i tij ishte hequr nga lista për shkak të pjesëmarrjes së tij në partinë politike "Për të Drejtat e Njeriut në Letoninë e Bashkuar" ("Par cilvēka tiesībām vienotā Latvijā", shkurt PCTVL) dhe për deklaratat e tij publike. PCTVL e kishte përzgjedhur që të kandidonte si kryetar bashkie të Riga, por refuzimi i kishte mohuar atij të drejtën për t’u zgjedhur në zgjedhjet lokale komunale dhe kishte qenë i motivuar politikisht.
15. Më 10 dhjetor 2004, kërkuesi dha një intervistë për një gazetar në gazetën e përditshme Lauku Avīze. Përgjigjja e tij për pyetjen nëse ai shpresonte ta fitonte çështjen para gjykatave vendore dhe ndërkombëtare ishte si vijon:
“Në qoftë se do të doja të fitoja pushtet politik, do të isha natyralizuar shumë kohë më parë dhe do të isha zgjedhur në Parlament. Shanset për të fituar çështjen në një gjykatën letoneze ishin pesëdhjetë me pesëdhjetë, por unë nuk kam nevojë për këtë gjë. Duke folur sinqerisht, ne kemi nevojë për një skandal ndërkombëtar. Me rastin tim të shtetësisë ia kemi arritur dhe, përveç kësaj, ne kemi ndërmarrë një fushatë të gjerë të marrëdhënieve publike për PCTVL falas.”
16. Në parashtrimet e tij të 5 janarit 2005 në Gjykatën Administrative të Rrethit, Këshilli i Ministrave theksoi se Ministri i Drejtësisë kishte nënvizuar se dispozitat e Ligjit për Shtetësinë parashikonin se personi i cili kërkonte marrjen e shtetësisë letoneze duhet të demonstronte besnikëri ndaj Republikës së Letonisë, jo vetëm me fjalë, por edhe me veprime; veprimet e kërkuesit nuk ishin në përputhje me betimin për besnikëri ndaj Republikës së Letonisë. Duke shqyrtuar informacionin në dispozicion, Këshilli i Ministrave vendosi se veprimet e kërkuesit në atë kohë nuk demonstronin besnikëri ndaj Republikës së Letonisë.
17. Në parashtrimet e tjera të 17 nëntorit 2005 në Gjykatën Administrative të Rrethit, Këshilli i Ministrave argumentoi, inter alia, se vendimi i tij politik ishte marrë duke marrë për bazë veprimet e kërkuesit; ishte e qartë se kërkuesi nuk tregonte me vërtetësi besnikërinë e tij. Kjo ishte evidente nga deklaratat e tij publike, të cilat dëshmonin se ai nuk kishte pasur një lidhje të mirëfilltë me Republikën e Letonisë, se nuk dëshironte të krijonte një lidhje të tillë dhe se kishte aplikuar për marrjen e shtetësisë, si pjesë e një fushate politike e cila synonte të dëmtonte Republikën e Letonisë. Këshilli i Ministrave citoi deklaratat që kërkuesi kishte bërë gjatë intervistës më 10 dhjetor 2004 (shih paragrafin 15 më lart). Duke u bazuar në parimin se "demokracia është e aftë të mbrojë vetveten", ai argumentoi se siguria kombëtare, mbrojtja e të tjerëve dhe gjuha e shtetit ishin vlerat demokratike të cilat shteti duhet t’i mbronte. Deklaratat publike të kërkuesit dëshmonin se veprimet e tij kishin për qëllim destabilizimin e situatës në vend dhe se dëshira e tij për të marrë shtetësinë letoneze lidhej pikërisht me këtë qëllim. Deklaratat dhe veprimet e tij tregonin se ai përbënte kërcënim real për sigurinë kombëtare: (i) kërkuesi ishte udhëheqësi i një organizate, aktivitetet e së cilës ishin të orientuara kundrejt cenimit të rendit publik dhe sigurisë[1]; (ii) aktivitetet e organizatës tregonin për mundësinë e përdorimit të dhunës[2]; (iii) deklaratat e kërkuesit tregonin se ai ishte i gatshëm për të përdorur dhunë[3]; (iv) veprimet e kërkuesit demonstronin mos gatishmërinë e tij për të lejuar autoritetet shtetërore për të ushtruar kontroll legjitim mbi ligjshmërinë e aktiviteteve të organizatës[4]; dhe (v) qëllimi i vërtetë i kërkuesit nuk ishte marrja e shtetësisë letoneze, por zhvillimi i një fushate të organizuar për të shkaktuar skandal politik[5].
18. Më 16 dhjetor 2005, Gjykata Administrative e Rrethit vendosi të pushojë gjykimin pa shqyrtuar çështjen në themel. Gjykata arriti në përfundimin se vendimi i Këshillit të Ministrave për dhënien ose jo të shtetësisë letoneze (lēmums par personas uzņemšanu Latvijas pilsonībā) ishte "vendim politik" (shih paragrafin 33 më poshtë) dhe si i tillë nuk i nënshtrohej shqyrtimit nga gjykata. Kërkuesi apeloi, duke deklaruar, inter alia, se Ligji për Shtetësinë nuk mund të përdorej si një armë politike dhe se gjykata duhet të kishte juridiksion të plotë mbi vendime të tilla.
19. Më 13 shkurt 2006, Gjykata Administrative Rajonale (Administratīvā apgabaltiesa) la në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Rrethit dhe gjithashtu e konsideroi vendimin e Këshillit të Ministrave një vendim politik. Kërkuesi apeloi, duke deklaruar, inter alia, se Ligji për shtetësinë nuk mund të përdorej si një armë politike dhe se gjykata duhet të kishte juridiksion të plotë mbi vendime të tilla.
20. Më 11 prill 2006, Seksioni Administrativ i Senatit të Gjykatës së Lartë (Augstākās tiesas Senāta Administratīvo lietu departaments)) la në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative Rajonale. Gjykata konstatoi se, në bazë të Ligjit për Shtetësinë, Bordi i Natyralizimit duhet të përgatisë një projekt-vendim ku të përcaktohen faktet juridike. Vendimi përfundimtar u mor nga Këshilli i Ministrave, në bazë të projekt-vendimit të përgatitur nga Bordi i Natyralizimit, nëpërmjet votimit. Anëtarëve të Këshillit të Ministrave nuk u kërkohet të arsyetojnë votën e tyre dhe ligji nuk përcakton detajet e procesit të vendimmarrjes lidhur me këtë. Gjykata theksoi, inter alia, se:
“[8.3] ... Këshilli i Ministrave ka kompetencë të pakufizuar për sa i përket dhënies ose refuzimit të shtetësisë personave të cilët, siç pohohet nga Bordi i Natyralizimit, kanë përmbushur kriteret e natyralizimit. Një liri e tillë e pakufizuar, e cila është gjithashtu në kundërshti të fortë (krasi kontrastē) me rregulloren e hollësishme të procesit të marrjes së një vendimi nga Bordi i Natyralizimit, dëshmon se Këshilli i Ministrave në një rast nuk ushtron një funksion administrativ, por një funksion kushtetues. Kështu, Këshilli i Ministrave nuk mund të konsiderohet një autoritet publik për qëllime të procedurës administrative. Prandaj, argumenti i parashtruar në ankesën plotësuese se vendimi plotëson të gjitha kriteret e një akti administrativ është i pabazuar.
Duke pasur parasysh sa më sipër, përfundimi i Gjykatës Administrative Rajonale se vendimi i apeluar nuk mund të konsiderohet një akt administrativ, por një vendim politik, është i saktë....
[10] Në këndvështrimin e Seksionit Administrativ, në qoftë se një person i plotëson të gjitha kërkesat për natyralizim dhe në qoftë se ndaj tij nuk ka kufizime të zbatueshme, ai ka të drejtën subjektive vetëm të marrjes së një projekt-vendimi në lidhje me marrjen ose jo të shtetësisë, i cili më pas shqyrtohet nga Këshilli i Ministrave.
[11] Fakti që legjislacioni nuk përcakton një procedurë për kundërshtimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nuk do të thotë se ndaj një vendimi të tillë mund të bëhet ankim si ndaj një akti administrativ, në përputhje me Ligjin e Procedurës Administrative. Në Letoni nuk ka asnjë praktikë të themeluar ku të tregohet expressis verbis në një akt ligjor se një vendim i tillë nuk mund të ankimohet. ...
[12] ...Në këndvështrimin e Seksionit Administrativ, e drejta letoneze parashikon mundësinë e monitorimit (kontrolēt) të vendimeve të marra për çështjet e natyralizimit. Kjo do të thotë se, vendimet e marra nga Bordi i Natyralizimit (akte administrative) janë subjekt i ankimimit para gjykatës, në përputhje me Ligjin e Procedurës Administrative, ndërsa nëse një vendim i Këshillit të Ministrave ose një pjesë e tij është i papajtueshëm me ligjin, prokurori publik mund të paraqesë një kërkesë për rishikim mbikëqyrës (protests) sipas nenit 19 të Ligjit për Prokurorinë. Prandaj, referimi i kërkuesit në nenin 12 të Konventës Evropiane për Shtetësinë është i pabazuar.”
21. Kërkuesi nuk ka ri-aplikuar për marrjen e shtetësisë letoneze përmes natyralizimit deri më sot.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDSHME PËRKATËSE
A. Kushtetuta (Satversme)
22. Sipas nenit 4 të Kushtetutës, gjuha letoneze është gjuha zyrtare në Republikën e Letonisë.
23. Sipas nenit 100 të Kushtetutës, gjithkush ka të drejtën e lirisë së shprehjes, e cila përfshin të drejtën e çdokujt për të marrë, mbajtur dhe shpërndarë informacion lirisht dhe për të shprehur pikëpamjet e tij. Censura është e ndaluar.
24. Sipas nenit 102 të Kushtetutës, kushdo ka të drejtë të krijojë dhe të anëtarësohet në shoqata, parti politike dhe organizatat e tjera publike.
25. Sipas nenit 103 të Kushtetutës, Shteti mbron të drejtën e organizimit të grumbullimeve paqësore të njoftuara paraprakisht, kortezheve në rrugë dhe demonstratave.
26. Sipas nenit 116, të drejtat e personave të përcaktuara, inter alia, në nenet 100, 102 dhe 103, mund të jenë subjekt i kufizimeve në rrethana të parashikuara në ligj për mbrojtjen e të drejtave të personave të tjerë, mbrojtjen e shtetit demokratik dhe sigurinë publike, mirëqenien dhe moralin. Në bazë të kushteve të përcaktuara në këtë nen, kufizime mund të vendosen edhe në shprehjen e besimeve fetare.
B. Ligji për Shtetësinë në fuqi në atë kohë (Pilsonības likums)
27. Neni 1 (1) i Ligjit për Shtetësinë parashikonte se shtetësia letoneze ishte lidhja e qëndrueshme ligjore (noturīga tiesiska saikne) ndërmjet një personi dhe shtetit letonez (Latvijas valsts). Më në përgjithësi, legjislacioni letonez për shtetësinë dhe imigrimin dallonte disa kategori personash me statuse të veçanta. Ato janë përmbledhur në Slivenko k. Letonisë ([GC], nr. 48321/99, §§ 50-53, GJEDNJ 2003-X) dhe Sisojeva dhe të Tjerët k. Letonisë ((çregjistruar) [GC], nr. 60654 / 00, §§ 46-47, GJEDNJ 2007-I)
28. Neni 11 listonte kufizimet mbi natyralizimin. Në këtë nen parashikohej, inter alia, se personat të cilët, me metoda antikushtetuese, kishin vepruar kundër pavarësisë së Republikës së Letonisë, rendit demokratik parlamentar të Shtetit apo kundër autoritetit ekzistues shtetëror në Letoni, dhe kur kjo vërtetohej me një vendim gjykate, kërkesa për marrjen e shtetësisë mund të mos u pranohej.
29. Neni 12 parashikonte si më poshtë vijon:
“(1) Vetëm ata persona të cilët janë të regjistruar në Regjistrin e Popullsisë mund t’u jepet shtetësia letoneze përmes natyralizimit kur:
1) vendbanimi i tyre i përhershëm, që nga data e paraqitjes së kërkesës për natyralizim, ka qenë në Letoni për jo më pak se pesë vjet duke u llogaritur nga 4 maji 1990 (për personat që kanë ardhur në Letoni pas 1 korrikut 1992, periudha pesë vjeçare do të llogaritet nga momenti i marrjes së lejes së qëndrimit të përhershëm);
2) flasin [prast] gjuhën letoneze;
3) njohin [zināt] parimet bazë të Kushtetutës së Republikës së Letonisë dhe të Ligjit Kushtetues [të 10 dhjetorit 1991] për të drejtat dhe detyrimet e personave dhe qytetarëve;
4) njohin himnin dhe historinë e Letonisë;
5) kanë burime të ligjshme të ardhurash;
6) betohen për besnikëri ndaj Republikës së Letonisë;
7) kanë paraqitur një njoftim në lidhje me heqjen dorë nga shtetësia (kombësia) e tyre e mëparshme dhe kanë marrë gjithashtu edhe lejen e shtetit, shtetësinë (kombësinë) e të cilit ata mbanin më parë, kur një leje e tillë është parashikuar nga ligji i atij shteti, ose kanë marrë një dokument që vërteton humbjen e shtetësisë (kombësisë), ose, në qoftë se ata janë qytetarë të ish-Bashkimit Sovjetik me vendbanim të përhershëm në Letoni më 4 maj 1990, kanë marrë një certifikatë që ata nuk e kanë fituar shtetësinë (kombësinë) e shtetit tjetër; dhe
8) nuk janë subjekt i kufizimeve për natyralizim, të specifikuara në nenin 11 të këtij ligji.
(9) Vetëm ata persona të cilët i plotësojnë të gjitha kushtet e përcaktuara nga paragrafi një i këtij neni mund të marrin shtetësinë letoneze nëpërmjet natyralizimit...
(10) Personat, kërkesat për marrjen e shtetësisë të të cilëve janë të refuzuara, mund t’i ri paraqesin një vit pas marrjes së vendimi të refuzimit.”
30. Neni 17(1) parashikonte që kërkesat për natyralizim i dërgoheshin Bordit të Natyralizimit. Pasi ai i shqyrtonte mund të vendoste refuzimin e tyre. Vendimet e refuzimit mund të ankimoheshin në gjykatë (neni 17 (3)). Pranimi i kërkesave për shtetësinë merrej nga Këshilli i Ministrave (neni 17 (2)).
31. Në atë kohë (para ndryshimeve legjislative në fuqi që prej 1 tetorit 2013), sipas nenit 18, të gjithë personave që u pranohej kërkesa për marrjen e shtetësisë letoneze duhej të nënshkruanin betimin për besnikëri ndaj Republikës së Letonisë si më poshtë:
“Unë, (emri, mbiemri) i lindur (vendi i lindjes, data e lindjes), betohem se do të jem besnik vetëm kundrejt Republikës së Letonisë.
Unë zotohem se do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Letonisë në mirëbesim dhe do të bëj përpjekjet më të larta për t’i mbrojtur ato.
Unë zotohem, edhe me jetën time, të mbroj pavarësinë e shtetit të Letonisë (Latvijas valsts) dhe të jetoj e punoj në mirëbesim, për të rritur prosperitetin e shtetit dhe të popullit të Letonisë.”
32. Më 1 tetor 2013 hynë në fuqi disa ndryshime të Ligjin për Shtetësinë, të cilat prekën të gjitha dispozitat e lartpërmendura.
C. Ligji i Procedurës Administrative (Administratīvā procesa likums)
33. Në pajtim me nenin 1 (3) të Ligjit të Procedurës Administrative (në fuqi nga 1 shkurti 2004 deri më 30 nëntor 2006), një akt administrativ është një instrument ligjor i drejtuar nga jashtë, i nxjerrë nga një autoritet publik (iestāde) në fushën e së drejtës publike në lidhje me një person të caktuar (ose disa persona), dhe që krijon, ndryshon, përcakton ose ndërpret një marrëdhënie juridike të caktuar (tiesiskās attiecības), apo përcakton një situatë ekzistuese. Vendimet në lidhje me vendosjen, ndryshimin ose ndërprerjen e statusit ligjor, ose masës disiplinore të një zyrtari (amatpersona), ose një personi specifikisht në varësi (īpaši pakļauta persona) të një autoriteti publik, si dhe vendime të tjera në qoftë se në mënyrë të konsiderueshme ndërhyjnë tek të drejtat e njeriut, të zyrtarit, ose personit specifikisht nën vartësinë e një autoriteti publik, janë gjithashtu akte administrative. Vendimi apo aktet e tjera të një autoriteti publik në sferën e së drejtës për privatësi dhe vendimi i brendshëm i cili ndikon vetëm tek autoriteti publik, tek një organ në vartësi të tij (institūcija padota) ose tek një person nën vartësinë specifike të tij, nuk janë akte administrative; vendimet politike (njoftimet politike, deklaratat, ftesat, njoftimet rreth zgjedhjeve të zyrtarëve ose personave të tjerë) nga Saeima, Presidenti, Këshilli i Ministrave ose Këshillat lokalë të qeverisë vendore (këshillat e qarkut ose të komunave), si dhe vendimet që lidhen me procesin penal dhe vendimet e gjykatave nuk janë akte administrative.
D. Rregullorja e Këshillit të Ministrave nr. 34 (1999), "Pranimi dhe Përpunimi i Kërkesave të Natyralizimit”
34. Paragrafi 32 i Rregullores së Këshillit të Ministrave nr. 34 (1999), "Pranimi dhe Përpunimi i Kërkesave të Natyralizimit" (Naturalizācijas iesniegumu pieņemšanas un izskatīšanas kārtība), në fuqi prej 5 shkurtit 1999 deri më 9 korrik 2011, përcakton bazat mbi të cilat Kreu i Bordit të Natyralizimit mund të marrë një vendim për refuzimin e kërkesës për natyralizim. Për shembull, një vendim i tillë merret, nëse ka një vendim gjykate i cili ka hyrë në mënyrë të ligjshme në fuqi dhe personi në fjalë qëllimisht ka dhënë informacione të rreme (paragrafi 32.1), ose nëse pas shqyrtimit të kërkesës është konstatuar se nuk ka bazë të ligjshme për natyralizim ose një bazë e tillë ka pushuar së ekzistuari (paragrafi 32.2).
35. Nëse gjykohet nga zyrtari i Bordit të Natyralizimit që ka shqyrtuar kërkesën, duke marrë parasysh dokumentet e përfshira në dosjen e natyralizimit të personit, se kërkuesit duhet t’i jepet shtetësia letoneze me natyralizim, ai përgatit një projekt-vendim për Këshillin e Ministrave për dhënien e shtetësisë letoneze me natyralizim (paragrafi 33). Bordi i Natyralizimit informon personin për vendimin e Këshillit të Ministrave (paragrafi 34).
E. Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese
36. Më 13 maj 2010, Gjykata Kushtetuese (Satversmes tiesa) dha vendimin për çështjen nr. 2009-94-01 mbi pajtueshmërinë e disa fjalëve në fjalinë e parë të paragrafit 1, të Dispozitave kalimtare të Ligjit për Shtetësinë, me fjalinë e dytë të neneve 1 dhe 2 të Kushtetutës dhe gjithashtu me Preambulën e Deklaratës së 4 majit 1990 "Për Rivendosjen e Pavarësisë së Republikës së Letonisë". Ky rast u referua në Gjykatën Kushtetuese nga Seksioni për Çështjet Administrative i Senatit të Gjykatës Supreme (Augstākās tiesas Senāta Administratīvo lietu departaments) dhe ngrinte pyetjen nëse kushtet për dyshtetësi të përcaktuara në ligj ishin në përputhje me doktrinën e vazhdimësisë së Shtetit të Letonisë. Gjykata Kushtetuese vendosi se rregullimi ligjor në fjalë ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Deklaratën. Pjesë përkatëse të vendimit të saj janë si vijon (referencat janë hequr):
“16. Parashtruesi ka argumentuar se shtetësia duhet të shihet si një prej të drejtave të njeriut dhe se dispozitat e kontestuara janë në kundërshtim me parimet e proporcionalitetit dhe sigurisë ligjore të mbrojtura nga neni 1 i Kushtetutës.
16.1. Gjykata Kushtetuese ka pranuar në jurisprudencën e saj se nga koncepti i Republikës demokratike, i sanksionuar në Nenin 1 të Kushtetutës rrjedh detyrimi i Shtetit për të respektuar një numër parimesh themelore të shtetit të së drejtës (tiesiska valsts), përfshirë edhe parimet e proporcionalitetit dhe të sigurisë juridike...
Për sa i përket rregullimit të shtetësisë Shteti ka një hapësirë të gjerë vlerësimi... Megjithatë, kjo hapësirë vlerësimi nuk mund të konsiderohet e pakufizuar. Në kuadër të doktrinës së vazhdimësisë së shtetit, legjislatura ka detyrimin të sigurojë që asnjë personi, i cili ka marrë shtetësinë letoneze gjatë kohës së pushtimit të mos përjashtohet nga shtetësia letoneze dhe gjithashtu kërkesat e përcaktuara për ri fitimin e shtetësisë të jenë proporcionale.
Kështu, Gjykata Kushtetuese duhet të vlerësojë nëse siguria e personave në lidhje me mundësinë e mbajtjes së dy shtetësive për shkak të Vendimit të 27 nëntorit 1991 tejkalonte diskrecionin e legjislaturës në rregullimin e shtetësisë. Kjo do të thotë se Gjykata Kushtetuese duhet të shqyrtojë nëse dispozitat e kontestuara nuk shkelin të drejtën e një personi për shtetësinë e një Shteti të caktuar.
16.2. Thuhet edhe tek kërkesa se shtetësia ose lidhja e një personi me shtetin është një prej të drejtave të njeriut, pasi është e përfshirë në nenin 15 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut dhe për rrjedhojë edhe në nenin 89 të Kushtetutës. Përcaktimi i një afati të tillë, pas përfundimit të të cilit një person, që të marrë shtetësinë letoneze, duhet të heqë dorë nga shtetësia e një shteti tjetër, është e barabartë me privim nga shtetësia apo edhe privimin e shtetësisë në grup ose për një grup personash të identifikueshëm nga një veçori specifike.
Gjykata Kushtetuese thekson se Deklarata e të Drejtave të Njeriut është burim i të drejtave të njeriut për t’u mbajtur parasysh dhe përmbajtja e dispozitave të saj është përmirësuar në kohë dhe ka shërbyer si bazë për zhvillimin e parimeve dhe zakoneve të së drejtës ndërkombëtare. Megjithatë, në mënyrë që të përcaktohet saktësisht fusha e veprimit e nenit 15 të Deklaratës së të Drejtave të Njeriut, e cila është e detyrueshme për Shtetin, në përputhje me nenin 89 të Kushtetutës, është i nevojshëm një vlerësim i mëtejshëm.
Neni 15 i Deklaratës së të Drejtave të Njeriut parashikon që të gjithë kanë të drejtën e shtetësisë. Megjithatë, ajo i jep një personi të drejtën e shtetësisë së një shteti të caktuar. Edhe pse përmbajtja e nenit ka ndryshuar me kalimin e kohës dhe zhvillimi që ka pësuar e drejta ndërkombëtare ka ndikuar në diskrecionin e shteteve në lidhje me çështjet e shtetësisë, përmbajtja e tij ende është e kufizuar.
Sipas një opinioni ligjor kombësia nuk është një e drejtë natyrore apo e patjetërsueshme, sepse ajo në thelb rrjedh nga ekzistenca e një shteti sovran...
Aktualisht, neni 15 i Deklaratës së të Drejtave të Njeriut përmban tre elemente kryesore: të drejtën për një shtetësi ose shmangien e pa shtetësisë; ndalimi arbitrarisht i shtetësisë (përfshirë privimin në grup); dhe e drejta e një personi për të ndryshuar shtetësinë e tij. Privimi i shtetësisë, mbi baza politike ose të tjera diskriminuese, është konsideruar privimi arbitrar i shtetësisë... Gjithashtu, privimi i një personi nga shtetësia që rezulton në mbetjen e tij pa shtetësi është konsideruar arbitrar... Ndalimi i diskriminimit nuk mund të interpretohet gjerësisht; për shembull, një kërkesë për aftësinë e gjuhës së shtetit, shtetësinë e të cilit kërkon të marrë një person, nuk konsiderohet diskriminues. Përveç kësaj, mund të identifikohet konsensusi në dy aspekte: barazia gjinore, që do të thotë se as martesa dhe as zgjidhja e saj nuk mund të sjellin si pasojë mungesën e shtetësisë; dhe më e rëndësishmja, detyrimi i një shteti të japë shtetësinë për çdo fëmijë që ka lindur në territorin e tij nëse mosdhënia e shtetësisë do ta bënte atë një person pa shtetësi...”
III. E DREJTA DHE PRAKTIKA NDËRKOMBËTARE PËRKATËSE
A. Jurisprudenca e Gjykatës së Përhershme Ndërkombëtare të Drejtësisë
37. Gjykata e Përhershme Ndërkombëtare e Drejtësisë, në opinionin e saj këshillues lidhur me Dekretet për Shtetësinë të lëshuara në Tuniz dhe Marok (7 shkurt 1923), shprehet si më poshtë:
“Fjalët "vetëm brenda juridiksionit të brendshëm" duket se i referohen më shumë çështjeve të caktuara të cilat, edhe pse mund të përfshijnë ngushtësisht interesat e më shumë se një shteti, në parim, nuk rregullohen sipas së drejtës ndërkombëtare. Për çështje të tilla, çdo shtet është gjykatësi i vetëm.
Çështja nëse një çështje e caktuar është apo jo vetëm brenda juridiksionit të një shteti është një pyetje relative thelbësore; ajo varet nga zhvillimi i marrëdhënieve ndërkombëtare. Kështu, në gjendjen e tanishme të së drejtës ndërkombëtare, çështjet e kombësisë, sipas mendimit të Gjykatës, janë në parim juridiksion ekskluziv.
Për qëllime të këtij opinioni, mjafton të vërehet se mund të ndodhë që, edhe në çështje, si ajo e shtetësisë, të cilat në parim nuk rregullohen sipas së drejtës ndërkombëtare, e drejta e një shteti për të përdorur diskrecionin e tij, megjithatë është e kufizuar nga detyrimet të cilat ai mund të ketë ndërmarrë kundrejt shteteve të tjera.”
B. Jurisprudenca e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë
38. Në çështjen Nottenbohm (Lihtenshtejn k. Guatemalës, vendim i datës 6 prill 1955), Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ("GJND"), deklaron si në vijim:
“Lihtenshteini, ashtu si çdo shtet sovran, duhet të përcaktojë, me anë të legjislacionit të tij, rregullat që kanë të bëjnë me fitimin e shtetësisë dhe të japë shtetësi me natyralizim nëpërmjet organeve të veta në përputhje me atë legjislacion. Nuk është e nevojshme të përcaktohet nëse e drejta ndërkombëtare vendos ndonjë kufizim mbi lirinë e saj në këtë fushë. Për më tepër, shtetësia i ka efektet e saj të menjëhershme, me ndikim më të gjerë dhe për shumicën e njerëzve, vetëm brenda sistemit juridik të shtetit që e jep atë. Shtetësia shërben mbi të gjitha për të përcaktuar se personi që e mban atë gëzon të drejtat dhe është i lidhur me detyrime, që ligji i atij shtetit i njeh, apo vendos mbi shtetasit e tij. Kjo përfshihet në parimin më të gjerë se shtetësia është brenda juridiksionit të brendshëm të shtetit. ...
Sipas praktikës së shteteve, vendimeve të arbitrazhit dhe gjyqësore dhe opinioneve të shkrimtarëve, shtetësia është një lidhje ligjore që ka si bazë të saj një fakt social të një afërsie, të një lidhjeje të natyrshme të ekzistencës, interesave dhe ndjenjave, së bashku me ekzistencën e të drejtave dhe detyrave reciproke. Mund të thuhet se përbën shprehje juridike të faktit se individi të cilit i është dhënë shtetësia, në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ligji ose si rezultat i një akti të autoriteteve përkatëse, në fakt është i lidhur më ngushtë me popullsinë e shtetit që i jep shtetësinë sesa me atë të një shteti tjetër. Nëse e përkthejmë në terma ligjorë të lidhjes ndërmjet personit dhe Shtetit, shtetësinë e të cilit ai mban, shtetësia, vetëm i jep të drejtë këtij Shteti të ushtrojë mbrojtje vis-à-vis një shteti tjetër. ...
Natyralizimi nuk është një çështje që duhet të merret lehtë. Për ta kërkuar dhe për ta marrë atë nuk është diçka që ndodh shpesh në jetën e një qenie njerëzore. Ai përfshin prishjen e një lidhje besnikërie me një shtet dhe vendosjen e një lidhje të re besnikërie. Kjo mund të ketë pasoja me ndikim të gjerë dhe të përfshijë ndryshime të thella në fatin e individit që e fiton atë. Ajo ka të bëjë me të personalisht dhe ta vlerësojë atë vetëm nga pikëpamja e pasojave të saj në lidhje me pronën e tij do ta keqkuptonte rëndësinë e saj të madhe. Për të vlerësuar ndikimin e saj ndërkombëtar, është e pamundur që të mos merren parasysh rrethanat në të cilat ajo është dhënë, karakteri serioz që përmban, preferencat, e vërteta dhe efektive, dhe jo thjesht verbale, të personit që e kërkon shtetësinë për shtetin që e jep atë.”
C. Konventa Evropiane për Shtetësinë (Traktat i Këshillit të Evropës Seria nr. 166)
39. Dokumenti kryesor i Këshillit të Evropës në lidhje shtetësinë është Konventa Evropiane për Shtetësinë, e cila u miratua më 6 nëntor 1997 dhe hyri në fuqi më 1 mars 2000. Ajo është ratifikuar nga 20 shtete anëtare të Këshillit të Evropës. Letonia e nënshkroi atë më 30 maj 2001, por nuk e ka ratifikuar.
40. Nenet relevante të kësaj Konvente parashikojnë si më poshtë vijon:
Neni 2 – Përkufizimet
“Për qëllimin e kësaj Konvente:
“Shtetësi" do te thotë lidhja juridike ndërmjet një personi dhe një shteti dhe që nuk tregon origjinën etnike te personit...”
Neni 3 – Kompetenca e shtetit
“1. Çdo shtet do të përcaktojë në të drejtën e tij se cilët janë shtetas te tij.
2. Ky ligj do të pranohet nga shtete të tjerë në masën që u përmbahet konventave ndërkombëtare të zbatueshme, të drejtës ndërkombëtare zakonore, si dhe parimeve ligjore, përgjithësisht të njohura në lidhje me shtetësinë.”
Neni 4 – Parimet
“Rregullat mbi shtetësinë të secilit Shtet Palë do të bazohen në parimet e mëposhtme:
a. Secili ka të drejtë për një shtetësi;
b. Pa shtetësia do të shmanget;
c. Asnjërit nuk do t’i mohohet arbitrarisht shtetësia e tij apo e saj;
d. As martesa dhe as zgjidhja e një martese ndërmjet një shtetasi të një Shteti Palë dhe një të huaji, si dhe as ndryshimi i shtetësisë nga njëri prej bashkëshortëve gjatë martesës nuk do të ndikojë automatikisht shtetësinë e bashkëshortit tjetër.”
41. Në Raportin Shpjegues të kësaj Konvente, inter alia, në lidhje me nenin 2 thuhet:
Neni 2 – Përkufizime
“22. Koncepti i shtetësisë është shqyrtuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në çështjen Nottenbohm. Kjo gjykatë e përcaktoi shtetësinë si "një lidhje ligjore që ka si bazë të saj një fakt social të një afërsie, të një lidhjeje të natyrshme të ekzistencës, interesave dhe ndjenjave, së bashku me ekzistencën e të drejtave dhe detyrave reciproke" (çështja Nottebohm, Raporti i GJND1955, fq. 23).
23. “Shtetësia” është përcaktuar në nenin 2 të Konventës, si “lidhja juridike ndërmjet një personi dhe një shteti dhe që nuk tregon origjinën etnike te personit”. Kështu, ai i referohet një marrëdhënie të veçantë ligjore mes një individi dhe një shteti që njihet nga ai shtet. Siç është treguar tashmë në një shënim në paragrafin 1 të këtij raporti shpjegues, në lidhje me efektet e Konventës, termat "shtetësi" dhe "qytetari" janë sinonime.”
D. Jurisprudenca e Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian
42. Në çështjen C-135/08 Janko Rottmann k. Freistaat Bayern (vendim i datës 2 mars 2010), Gjykata e Drejtësisë vendosi si më poshtë (referencat janë hequr):
“45. Kështu, Shtetet anëtare, gjatë ushtrimit të kompetencave të tyre në sferën e shtetësisë, duhet të marrin parasysh të drejtën e Bashkimit Evropian...
48. Kushti që duhet të merret parasysh nga e drejta e Bashkimit Evropian nuk cenon parimin e të drejtës ndërkombëtare të njohur më parë nga Gjykata dhe të përmendur në paragrafin 39 më lart, se Shtetet anëtare kanë të drejtën për të përcaktuar kushtet për fitimin dhe humbjen e shtetësisë, por mishëron parimin se, ushtrimi i kësaj kompetence në lidhje me qytetarët e Bashkimit, për aq sa ajo prek të drejtat e akorduara dhe të mbrojtura në rendin juridik të BE, siç është veçanërisht rasti i një vendim për refuzimin e kërkesës për natyralizim, si çështja në fjalë, i nënshtrohet shqyrtimi gjyqësor sipas së drejtës së Bashkimit Evropian....
55. Megjithatë, në një rast të tillë, i takon gjykatave kombëtare të verifikojnë nëse vendimi për refuzimin e kërkesës për natyralizim, respekton parimin e proporcionalitetit për sa i përket pasojave që sjell për situatën e personit në fjalë në dritën e të drejtës së Bashkimit Evropian. Përveç kësaj, kur është e përshtatshme, ato duhet të bëjnë edhe vlerësimin e proporcionalitetit të vendimit në dritën e së drejtës së brendshme.”
E. Jurisprudenca e Gjykatës Ndër-amerikane për të Drejtat e Njeriut
43. Në Amendamentet e Propozuara për Dispozitat e Kushtetutës së Kosta Rikës për Natyralizimin (Opinioni Këshillimor OC-4/84, 19 janar 1984), Gjykatat Ndër-Amerikane për të Drejtat e Njeriut vendosi si më poshtë:
“31. Pyetjet e paraqitura nga ana e Qeverisë përfshijnë dy çështje të përgjithshme ligjore që Gjykata do të shqyrtojë veçmas. Çështja e parë lidhet me të drejtën e shtetësisë të përcaktuar në nenin 20 të Konventës, ndërsa e dyta ka të bëjë me diskriminimin e mundshëm të ndaluar nga Konventa.
32. Është përgjithësisht e pranuar sot se, shtetësia është një e drejtë e natyrshme e të gjitha qenieve njerëzore. Jo vetëm që është kërkesa themelore për ushtrimin e të drejtave politike, por gjithashtu ka një ndikim të rëndësishëm mbi kapacitetin ligjor të individit.
Kështu, pavarësisht se është pranuar tradicionalisht që rregullimi i shtetësisë është çështje që vendoset nga vet shteti, zhvillimet bashkëkohore tregojnë se e drejta ndërkombëtare vendos kufizime të caktuara në kompetencat e gjera që shtete gëzojnë në këtë fushë dhe se mënyra se si ato e rregullojnë këtë çështje nuk mund të konsiderohet më vetëm brenda juridiksionit të tyre; kompetencat e shtetit janë të kufizuara edhe nga detyrimet e tyre për të siguruar mbrojtjen e plotë të të drejtave të njeriut.
33. Qëndrimi klasik doktrinar, i cili e shikon shtetësinë si atribut të dhënë nga shteti subjekteve të tij, ka evoluar gradualisht deri në pikën që sot shtetësia perceptohet se përfshin juridiksionin e shtetit, si dhe çështjet e të drejtave të njeriut. Kjo është pranuar në një instrument rajonal, konkretisht në Deklaratën Amerikane për të Drejtat dhe Detyrat e Njeriut të 2 majit 1948 [neni 19]. Një tjetër instrument, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut ... parashikon si më poshtë [neni 15].
34. E drejta e çdo personi për shtetësi është njohur si i tillë nga e drejta ndërkombëtare. Dy aspekte të kësaj të drejte janë pasqyruar në nenin 20 të Konventës: së pari, e drejta për shtetësi i garanton individit mbrojtje në një masë minimale në marrëdhëniet ndërkombëtare nëpërmjet lidhjes që shtetësia e tij vendos mes tij dhe shtetit në fjalë; dhe, së dyti, mbrojtja që i ofrohet individit kundër privimit arbitrar nga shtetësia e tij, pa të cilën ai do të privohej praktikisht nga të gjitha të drejtat e tij politike si dhe të drejtat civile të lidhura me shtetësinë e individit.
35. Shtetësia konsiderohet lidhja politike dhe ligjore ndërmjet një personi dhe një shteti të caktuar. Ajo vendos një lidhje besnikërie ndërmjet tyre, duke i dhënë personit të drejtën për mbrojtjen diplomatike të atij shteti. Në mënyra të ndryshme, shtetet u kanë ofruar individëve, që nuk kanë pasur që në fillim shtetësinë e atij shteti, mundësinë për ta marrë atë në një moment të mëvonshëm, zakonisht me anë të një deklarate që shpreh qëllimin e personit për të marrë shtetësinë, në përputhje me kushtet e përcaktuara. Në këto raste, shtetësia nuk varet nga fakti i lindjes në një territor të caktuar apo nga shtetësia e prindërve; ajo bazohet më tepër në një akt vullnetar që synon krijimin e një marrëdhënie me një shoqëri të caktuar politike, kulturën e saj, mënyrën e jetës dhe vlerave të saj.
36. Duke qenë se është shteti që ofron mundësinë për të fituar shtetësinë e tij për personat të cilët janë me origjinë të huaj, është e natyrshme që kushtet dhe procedurat të përcaktohen kryesisht nga legjislacioni i brendshëm i atij shteti. Për sa kohë që këto rregulla nuk bien në kundërshtim me normat që qëndrojnë hierarkisht më lartë, është shteti që jep shtetësinë, ai që gjykon më mirë se çfarë kushtesh duhen vendosur për të siguruar që ekziston një lidhje efektive ndërmjet kërkuesit për natyralizim dhe sistemit të vlerave dhe interesave të shoqërisë me të cilën ai kërkon të identifikohet plotësisht. Gjithashtu është po shteti ai i cili mund të gjykojë më mirë nëse këto kushte janë përmbushur. Brenda të njëjtëve kufij, është po aq e logjikshme që nevojat e çdo shteti të përcaktojnë nëse duhet lehtësuar natyralizimi në një shkallë më të madhe ose jo; duke qenë se nevojat e një shteti nuk mbeten statike, është mjaft e natyrshme që dhe kushtet për natyralizim të liberalizohen apo jo në varësi të rrethanave të ndryshuara. Prandaj, nuk është për t’u habitur që në një moment të caktuar kushtet e reja të vendosen për të siguruar që ndryshimi i shtetësisë nuk do të bëhet për të zgjidhur disa probleme të përkohshme që kërkuesit hasin dhe jo sepse ata kanë krijuar lidhje të vërtetë dhe të qëndrueshme me vendin, çka do të justifikonte një veprim aq serioz dhe me ndikim të gjerë siç ishte ndryshimi i shtetësisë.”
44. Në Çështjen e Vajzave Yean dhe Bosico k. Republikës Dominikane (vendim i 8 shtatorit 2005), Gjykata Ndër-Amerikane e të Drejtave të Njeriut vendosi si më poshtë (referencat janë hequr):
“139. Konventa Amerikane i njeh të dyja aspektet e së drejtës së shtetësisë: të drejtën për të pasur një shtetësi nga këndvështrimi i dhënies si një “masë minimale, individit në mbrojtjen ligjore në marrëdhëniet ndërkombëtare, përmes lidhjes që shtetësia vendos ndërmjet tij dhe shtetit, shtetësinë e të cilit mban; dhe e dyta mbrojtja e akorduar individit kundër privimit arbitrar të shtetësisë, të cilat janë të lidhura me shtetësinë e individit.”
140. Është brenda juridiksionit të një shteti që të përcaktojë se kush ka të drejtë të vazhdojë të jetë shtetas i tij. Megjithatë, kompetencat e tij në këtë drejtim gradualisht janë duke u kufizuar, me evoluimin e të drejtës ndërkombëtare kundrejt garantimit të një mbrojtje më të mirë të individit ndaj veprimeve arbitrare të shtetit. Kështu, në fazën aktuale të zhvillimit të së drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, kjo kompetencë e shteteve është e kufizuar, nga njëra anë, nga detyrimi i tyre për t’u ofruar individëve mbrojtjen e barabartë dhe efektive ligjore dhe nga ana tjetër, nga detyrimi i tyre për të parandaluar, shmangur dhe zvogëluar rastet e pa shtetësisë.
141. Gjykata konsideron se parimi i pakundërshtueshëm ligjor i mbrojtjes së barabartë dhe efektive ligjore dhe mos diskriminimi kërkon që, shtetet kur rregullojnë mekanizmat për dhënien e shtetësisë, duhet të kujdesen që këto rregulla të mos jenë diskriminuese apo të kenë efekt diskriminues në grupe të caktuara të popullsisë, kur ushtrojnë të drejtat e tyre. Për më tepër, shtetet duhet të luftojnë praktikat diskriminuese në të gjitha nivelet, veçanërisht në organet publike dhe duhet të miratojnë masat e nevojshme për të siguruar të drejtën efektive të mbrojtjes së barabartë për të gjithë individët.
142. Shtetet kanë detyrimin që të mos miratojnë praktika apo ligje në lidhje me dhënien e shtetësisë, zbatimi i të cilave nxit rritjen e numrit të personave pa shtetësi. Kjo mund të ndodhë, kur një individ nuk kualifikohet për të marrë shtetësinë në bazë të ligjeve të atij shteti, për shkak të privimit arbitrar ose dhënien e një shtetësie që, në fakt, nuk është efektive. Pa shtetësia privon një individ nga gëzimi i drejtave civile dhe politike dhe e vendos atë në një gjendje vulnerabiliteti ekstrem.”
45. Parimet që dalin nga praktika gjyqësore e Gjykatës Ndër-Amerikane për të Drejtat e Njeriut në lidhje të drejtën e shtetësisë janë konfirmuar së fundmi në rastin e Dominikanët dhe Haitasit e Dëbuar k. Republikës Dominikane (vendim i 28 gushtit 2014, paragrafët 253-264) .
E DREJTA
I. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENEVE 10 DHE 11 TË KONVENTËS
46. Kërkuesi pretendoi në bazë të neneve 10 dhe 11 të Konventës se mohimi i pretenduar arbitrar i shtetësisë me natyralizim nga ana e shtetit të Letonisë ishte një masë ndëshkuese mbi të, pasi ai kishte shprehur ide dhe kishte ushtruar të drejtën e tij të tubimit, për të kritikuar qëndrimin e Qeverisë. Ai më tej u ankua se shkeljet e sipërpërmendura të të drejtave të tij, në kundërshtim me kërkesat e nenit 10 § 2 dhe nenit 11 § 2 të Konventës, nuk ishin të përcaktuara me ligj, nuk ndiqnin një qëllim legjitim, nuk ishin proporcionale dhe nuk ishin të nevojshme në një shoqëri demokratike. Nenet 10 dhe 11 të Konventës parashikojnë si më poshtë:
Neni 10 (liria e shprehjes)
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë. Ky nen nuk i ndalon Shtetet që të kërkojnë licensimin e ndërmarrjeve të transmetimit audio, kinematografik ose televiziv.
2. Ushtrimi i këtyre lirive që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet atyre formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor.”
Neni 11 (Liria e tubimit dhe e organizimit)
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së tubimit paqësor dhe të organizimit me të tjerët, duke përfshirë të drejtën e themelimit me të tjerë të sindikatave dhe të pjesëmarrjes në to për mbrojtjen e interesave të tij.
2. Ushtrimi i këtyre të drejtave nuk mund t’u nënshtrohet kufizimeve të tjera përveç atyre që parashikohen me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për ruajtjen e shëndetit ose të moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve. Ky nen nuk ndalon kufizime të ligjshme të ushtrimit të këtyre të drejtave nga pjesëtarë të forcave të armatosura, të policisë ose të administratës shtetërore.”
47. Qeveria mohoi të kishte shkelje të këtyre neneve.
A. Parashtrimet e palëve
1. Kërkuesi
48. Kërkuesi vuri në dukje se çështjet që kanë të bëjnë me shtetësinë nuk ishin në kompetencën ekskluzive të shtetit, nëse prekeshin të drejtat e njeriut. Ai parashtroi se Opinioni Këshillimor për Dekretet e Shtetësisë të lëshuara në Tunizi dhe Marok dhe rasti Nottenbohm reflektonin situatën e së drejtës ndërkombëtare në vitet 1923 dhe 1955, respektivisht, dhe jo në kohën e tanishme. Ai argumentoi se ka pasur një konsensus ndërkombëtar në rritje se, ligjet dhe praktikat për shtetësinë duhej të jenë në përputhje me parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare, në veçanti me legjislacionin për të drejtat e njeriut. Diskrecioni i shtetit në dhënien e shtetësisë nuk ishte krejtësisht i pa kufizuar; duke iu referuar nenit 15 § 1 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, kërkuesi argumentoi se vendimet lidhur me shtetësinë duheshin shqyrtuar në dritën e të drejtave të njeriut. Ai përmendi paragrafët 32 dhe 140, përkatësisht, nga dy raste të rëndësishme përpara Gjykatës Ndër-Amerikane për të Drejtat e Njeriut (shih paragrafët 43 dhe 44 më lart). Kërkuesi pretendoi se qëndrimi Ndër-Amerikan u konfirmua edhe në Evropë, duke u mbështetur në nenin 4 të Konventës Evropiane për Shtetësinë dhe Raportin Shpjegues të saj. Kërkuesi e përshkroi statusin e tij si një "jo-shtetas" dhe e konsideronte veten një person "të privilegjuar" pa shtetësi në aspektin e së drejtës ndërkombëtare. Ai gjithashtu iu referua rastit Nottenbohm dhe shpjegoi se ai ka lindur në Letoni, vendbanimi i tij i përhershëm dhe qendra e interesave ka qenë në Letoni dhe gruaja e tij dhe dy vajzat jetonin në Letoni. Ai pohoi se nuk kishte asnjë lidhje të vërtetë ose efektive me ndonjë vend tjetër.
49. Duke pranuar se e drejta për një shtetësi të caktuar nuk garantohet si e tillë nga Konventa ose protokollet e saj, kërkuesi u mbështet në vendimin[6] e Gjykatës në rastin Karassev k. Finlandës ((vendim), nr. 31414/96, GJEDNJ 1999-II ) dhe argumentoi se mohimi arbitrar i shtetësisë, në rrethana të caktuara mund të ngrejë një çështje sipas nenit 8 të Konventës për shkak të ndikimit mbi të drejtat e një individi. Ai më tej iu referua rastit Genovese k. Maltës (nr. 53124/09, § 45, 11 tetor 2011), ku Gjykata kishte gjetur shkelje të nenit 14 në lidhje me nenin 8 për sa i përket mundësisë për të marrë shtetësi. Kërkuesi argumentoi se edhe në forume të tjera ndërkombëtare ishte deklaruar, se kompetencat kombëtare për vendosjen e rregullave mbi shtetësinë nuk ishin përjashtuese; përpara Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian ai iu referua rastit të sipërcituar Rottmann. Ai gjithashtu argumentoi se, për qëllime të çështjes në fjalë, detyrimi për zvogëlimin e rasteve të pa shtetësisë kufizonte diskrecionin e Shtetit dhe, duke u mbështetur në rastin Andrejeva k. Letonisë ([GC], nr. 55707/00, § 88, GJEDNJ 2009), pohoi se Letonia ishte i vetmi shtet me të cilin ai kishte lidhje të qëndrueshme ligjore.
50. Kërkuesi pranoi se ai nuk kishte të drejtë për të fituar shtetësinë letoneze në bazë të Konventës; argumenti i tij ishte se të drejtat e tij sipas neneve 10 dhe 11 ishin shkelur gjatë procesit të natyralizimit. Asgjë në jurisprudencën e Gjykatës nuk sugjeronte që mund të lindin çështje vetëm sipas nenit 8 dhe 14. Qëndrimi i tij ishte se "mohimi arbitrar i shtetësisë" mund të ngrinte çështje sipas neneve 10 dhe 11. Kërkuesi argumentoi se ka pasur një lidhje të mjaftueshme shkakësore midis pjesëmarrjes së tij në veprimtari kundër futjes së gjuhës zyrtare të shtetit të Republikës së Letonisë në shkolla, të cilat kishin gjuhën ruse si gjuhën e zhvillimit të mësimit dhe vendimit pasues të Këshillit të Ministrave për të refuzuar natyralizimin e tij. Ai e konsideroi "refuzimin e dhënies së shtetësisë" një masë ndëshkuese ndaj tij, në përgjigje të aktiviteteve dhe deklaratave të tij.
51. Kërkuesi kundërshtoi argumentin e Qeverisë se rasti Ezelin duhej dalluar nga rasti konkret. Kërkuesi parashtroi se natyra dhe ashpërsia e sanksionit të shqiptuar ishin faktorë që duhet të merren parasysh kur vlerësohet proporcionaliteti i ndërhyrjes (ai iu referua Sürek k. Turqisë (nr. 1) [GC], nr. 26682/95, § 64, GJEDNJ 1999-IV). Refuzimi i dhënies së shtetësisë letoneze kishte pasur disa pasoja të menjëhershme për kërkuesin. Ai përmendi faktin që ai nuk mundi të qëndronte për zgjedhjet komunale të mbajtura në vitin 2005, sepse ai mund të ri-aplikonte për natyralizim vetëm pas një viti (neni 12 (6) i Ligjit për Shtetësinë). Një pasojë e tillë nuk kishte qenë e parashikueshme, duke parë mendimin pozitiv të Policisë së Sigurimit. Kërkuesi mbeti "jo-shtetas" dhe ishte përjashtuar nga pjesëmarrja me të drejta të plota në proceset politike. Ai vuri në dukje se ai nuk kishte të drejtë të votonte ose të dilte si kandidat në zgjedhjet komunale apo parlamentare, ose në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.
52. Kërkuesi pranoi se sanksionet nuk e kishin penguar të shprehte mendimet e tij, por megjithatë sipas tij ato përbënin një lloj censure që e dekurajonin atë të kritikonte përsëri në të ardhmen (ai iu referua Lingens k. Austrisë, 8 korrik 1986, § 44, Seria A nr. 103). Duke e përgjithësuar, kërkuesi parashtroi se masat e marra nga autoritetet vendase dekurajonin pjesëmarrjen e "jo-shtetasve" në debatet mbi çështjet e interesit të ligjshëm publik (ai përmendi Bladet Tromso dhe Stensaas k. Norvegjisë [GC], nr. 21980/93, § 64, GJEDNJ 1999 -II).
53. Në përgjigje të argumentit të Qeverisë se ai nuk kishte përmbushur kushtin e besnikërisë, kërkuesi parashtroi se ekzistonte një dallim ndërmjet besnikërisë ndaj shtetit dhe besnikërisë ndaj qeverisë. Ai pranoi se kërkesa e besnikërisë ndaj shtetit mund të jetë legjitime, por ajo nuk duhej përdorur për të luftuar pluralizmin e pikëpamjeve, kur ato shprehen në përputhje me ligjin (ai iu referua Tanase k. Moldavisë [GC], nr. 7/08, §§ 166-167, GJEDNJ 2010). Më tej, kërkuesi pretendoi se Qeveria nuk ka prova që dëshmojnë për deklaratat e tij të pretenduara për rrëzimin e qeverisë, për thirrje për përdorimin e dhunës dhe për të shkaktuar një skandal ndërkombëtar. Ai ishte i habitur se si Qeveria i referohej raporteve të mediave, për të mbështetur pretendimet e saj, kur mund të gjendeshin prova më objektive. Ai iu referua mendimit pozitiv nga ana e Policisë së Sigurimit dhe përmendi se ai vetëm një herë kishte marrë një paralajmërim me shkrim për pjesëmarrje në një demonstratë dhe se nuk kishte qenë asnjëherë i dënuar penalisht; raportet e mediave reflektonin vetëm mendimet e autorëve të tyre. Ai u bazua në të njëjtat deklarata nga mediat (shih paragrafin 17 më sipër) për të argumentuar se protestat drejtoheshin vetëm kundër qeverisë, e cila drejtohej nga ai Kryeministër e koalicion qeverisës dhe jo kundër çdo qeverie legjitime; se ai nuk kishte dëshiruar në asnjë moment përdorimin e dhunës; ftesa e tij "për një ndeshje boksi në një klub sportiv policor" ishte bërë për të shmangur çdo dhunë në rrugë. Së fundi, deklaratat e bëra gjatë intervistës së tij të datës 10 dhjetor 2004, nuk mund të ishin arsyet e refuzimit të kërkesës së tij për natyralizim nga Këshilli i Ministrave, pasi ky vendim ishte më i vonshëm.
54. Në çdo rast, liria e shprehjes përfshinte edhe ide apo shprehje që fyejnë, tronditin apo shqetësojnë (ai përmendi Handyside k. Mbretërisë së Bashkuar, 7 dhjetor 1976, § 49, Seritë A nr. 24) dhe liria e tubimit mbronte gjithashtu demonstratat që mund të fyejnë apo mërzisin personat që kundërshtojnë idetë ose pretendimet që ata promovojnë (ai iu referua Plattform "Ärzte für das Leben" k. Austrisë, 21 qershor 1988, § 32, Seria A nr. 139). Për më tepër, kufijtë e kritikës ishin më të gjerë në lidhje me qeverinë se sa me individin privat (ai përmendi Castells k. Spanjës, 23 prill 1992, § 46, Seria A nr. 236).
2. Qeveria
55. Qeveria këmbënguli se ankimi i kërkuesit ishte një përpjekje e maskuar për t’u ankuar për faktin se kërkesa e tij për natyralizim ishte refuzuar. Ata pohuan se kërkuesi nuk kishte treguar se si refuzimi kishte cenuar apo kishte një ndikim negativ në të drejtat dhe liritë e tij, sipas neneve 10 dhe 11 të Konventës.
56. Sipas Qeverisë, refuzimi i kërkesës së shtetësisë së kërkuesit nuk prekte në asnjë mënyrë të drejtat dhe liritë e tij. Qeveria iu referua mbulimit të gjerë mediatik, në të cilin reflektoheshin deklarata publike të parashtruesit, ku ai kishte shprehur lirisht pikëpamjet dhe qëndrimin e tij mbi reformën e arsimit dhe gjithashtu planet dhe veprimet e tij në lidhje me këtë çështje. Mbulimi mediatik reflektonte edhe pjesëmarrjen e kërkuesit në takimet dhe demonstrata në 2005. Ai kishte marrë detyrën e asistentit të një anëtari të Parlamentit Evropian, znj. Ždanoka dhe kishte vazhduar të fliste kundër politikave qeveritare për sa i përket reformës së arsimit. Qeveria përmendi shembuj specifikë të mbledhjeve në të cilën kërkuesi kishte marrë pjesë, që nga vendimi i vitit 16 nëntorit 2004 (për shembull, në një takim të 6 dhjetorit 2004 në lidhje me reformën e arsimit). Përveç kësaj, ata përmendën se në vitin 2012 kërkuesi kishte qenë një nga organizatorët për mbledhjen e nënshkrimeve për të iniciuar një referendum për shtetësinë për "jo-shtetasit". Në të njëjtin vit, kërkuesi kishte marrë pjesë në krijimin e një organi të quajtur "Kongresi i jo-shtetasve" dhe brenda saj, më 1 qershor 2013, ai ishte zgjedhur anëtar i një organi të vetë-shpallur "Kuvendi i të pa përfaqësuarve". Ai kishte marrë pjesë në një numër konferencash, protestash dhe demonstratash, ku ai kishte shprehur lirisht mendimin e tij se "jo-shtetasve" duhet t’u jepej automatikisht shtetësia.
57. Kërkuesi as nuk ishte ndjekur penalisht dhe as ishte dënuar në ndonjë formë nga institucionet shtetërore për opinionet apo vërejtje e tij publike. Qeveria iu referua rastit të Jokšas k. Lituanisë (nr. 25330/07, 12 nëntor 2013) duke e konsideruar atë relevante për qëllimet e çështjes në fjalë, pasi edhe në atë çështje nuk ishte konstatuar ndërhyrje dhe rrjedhimisht nuk kishte pasur shkelje duke qenë se nuk kishte pasur sanksion disiplinor, ndjekje penale ose dënim për vërejtje publike.
58. Qeveria kundërshtoi pretendimin e kërkuesit se refuzimi nga ana e autoriteteve të Letonisë për t’i dhënë atij shtetësinë ishte një masë ndëshkuese dhe bëri dallimin e rastit aktual nga Ezelin k. Francës (26 prill 1991 Seria A nr. 202). Në rastin e fundit kërkuesi kishte marrë një sanksion disiplinor për pjesëmarrje në një demonstratë duke i lënë pasoja negative ligjore mbi të dhënat e punësimit të kërkuesit. Ndërsa në rastin konkret, refuzimi për dhënien e shtetësisë kishte pasur vetëm një pasojë të menjëhershme – pa mundësinë, në një moment të caktuar të kohës, për të marrë shtetësinë letoneze. Qeveria përsëriti se nuk ka pasur asnjë efekt negativ mbi të drejtat e kërkuesit sipas neneve 10 dhe 11 të Konventës dhe se refuzimi nuk e pengonte atë që të paraqiste kërkesë të re në të ardhmen.
59. Gjithashtu, Qeveria vërejti se, rasti i tanishëm duhej dalluar nga rastet Redfearn dhe Vogt, ku kërkuesit më pas kishin përjetuar vështirësi në punësim pas shkarkimit (Redfearn k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 47335/06, 6 nëntor 2012, dhe Vogt k. Gjermanisë 26 shtator 1995, Seria A nr. 323). Nga ana tjetër, refuzimi i shtetësisë letoneze me natyralizim në rastin konkret nuk ka sjellë ndonjë pasojë të pakthyeshme për kërkuesin duke qenë se ai mund të ri-aplikonte për marrjen e shtetësisë letoneze. As nuk krijonte ndonjë pasojë negative për karrierën e tij politike. Fakti se kërkuesi nuk kishte ri-aplikuar për natyralizim tregonte se ai kurrë nuk kishte pasur ndonjë qëllim të vërtetë për të marrë shtetësinë letoneze.
60. Qeveria iu referua Opinionit Këshillimor të sipër përmendur në lidhje me Dekretet e Shtetësisë të lëshuara në Tunizi dhe Morok dhe rastit Nottenbohm, duke argumentuar se sipas së drejtës ndërkombëtare çështjet e shtetësisë ishin në kompetencë ekskluzive të shteteve dhe ishin çështje që trajtoheshin brenda juridiksionit të këtyre shteteve. Rregullimi i çështjes së shtetësisë në të drejtën ndërkombëtare ka mbetur i fragmentuar,- ai mbulon fusha të tilla si konfliktet e juridiksionit për të vendosur mbi shtetësinë në rastet e suksedimit të shtetit, por këto nuk ishin relevante për çështjen në fjalë. Qeveria përmendi se, përpjekjet për të vendosur një standard më të unifikuar në lidhje me çështjet e shtetësisë ishin ende duke u zhvilluar; për t’u përmendur ishte fakti se Konventa Evropiane për Shtetësinë ishte ratifikuar vetëm nga 16 shtete në kohën e dorëzimit të vëzhgimeve të para të Qeverisë (tani 20 shtete e kanë ratifikuar, shiko paragrafin 39 më lart).
61. Duke iu referuar jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut (Familja K. dhe Ë. K. Holandës, nr. 11278/84, vendim i Komisionit i 1 korrikut 1985, Vendime dhe Raporte (DR) 43, fq. 216; Slepcik k. Holandës dhe Republikës Çeke, nr. 30913/96, vendim i Komisionit i 2 shtatorit 1996, DR 86-B, fq. 176; dhe Jazvinsky k. Republikës Sllovake (vendim), nr. 33088/96, 52236/99, 52451 / 99, 52452/99, 52453/99, 52455/99, 52457/99, 52458/99, 52459/99, 7 dhjetor 2000), Qeveria përsëriti se e drejta për shtetësinë e një shteti të caktuar nuk ishte në mesin e të drejtave të garantuara nga Konventa dhe protokollet e saj.
62. Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. 2009-94-01, Qeveria argumentoi se shteti kishte një hapësirë të gjerë vlerësimi në lidhje me rregullimin e çështjeve të shtetësisë (shih paragrafin 36 më lart). Qeveria përsëriti se natyralizimi ishte një vendim politik i shtetit dhe se çdo shtet kishte një mekanizëm që synonte identifikimin e shtetasve, të cilët ishin besnikë ndaj tij; shteti nuk mund të detyrohet t’u japë shtetësinë personave që konsiderohen jo të integruar dhe që nuk mund t’u besojë.
63. E drejta letoneze nuk garantonte të drejtën për të fituar shtetësinë me natyralizim; ajo thjesht njihte të drejtën për të aplikuar për marrjen e shtetësisë nëse plotësoheshin disa kritere. Më tej, Qeveria shpjegoi procesin me dy etapa të natyralizimit. Së pari, Bordi i Natyralizimit kryente detyrën administrative të marrjes dhe shqyrtimit të kërkesave individuale për të përcaktuar nëse plotësonin kriteret e përcaktuara me ligj. Vendimi i Bordit i nënshtrohej shqyrtimit gjyqësor në pajtim me nenin 17 (3) të Ligjit për Shtetësinë. Së dyti, kompetenca e Këshillit të Ministrave në këtë drejtim ishte e një natyre diskrecionare. Këshilli i Ministrave merrte parasysh konsideratat politike, përfshirë besnikërinë e personit ndaj Republikës së Letonisë. Këshilli i Ministrave kishte arritur në përfundimin se deklaratat dhe veprimet e kërkuesit kishin për qëllim destabilizimin e situatës në vend dhe se ai e kishte keqpërdorur procedurën e natyralizimit për të arritur këtë qëllim (shih paragrafin 17 më lart).
64. Për më tepër, deklaratat dhe veprimet e kërkuesit ishin të papajtueshme me vlerat themelore të Republikës së Letonisë si shtet demokratik dhe se ai nuk e kishte përmbushur kushtin e besnikërisë sipas nenit 18 të Ligjit. Duke iu referuar rastit të sipër përmendur Nottenbohm, Qeveria e konsideroi normale kërkesën që aplikantët të demonstronin një lidhje të vërtetë me vendin, shtetësinë e të cilit kërkonin të merrnin, duke përfshirë një nivel të caktuar të besnikërisë ndaj Republikës së Letonisë. Duke pranuar se në parim, neni 10 i Konventës mbron të drejtën për t’u shprehur në një mënyrë që fyen, trondit ose shqetëson, Qeveria, gjithashtu vuri në dukje se një person që ushtron lirinë e tij të shprehjes merr mbi vete dhe disa detyra dhe përgjegjësi, qëllimi i të cilave varet nga situata e veçantë (ata iu referuan Handyside, cituar më lart, §49). Në këndvështrimin e Qeverisë, kërkuesi ishte i detyruar të zgjidhte mjetet me të cilat dëshironte të arrinte qëllimet e tij dhe të mos jepte deklarata provokuese që nxisnin përdorimin e dhunës e që cenonin vlerat themelore të shoqërisë demokratike. Në mënyrë të ngjashme, ata vërejtën se neni 11 i Konventës nuk mbronte ata që kishin qëllime përdorimin e dhunës që çonte në çrregullime publike (ata përmendën G. k. Republikës Federale të Gjermanisë, nr. 10833/84, vendim i Komisionit i datës 13 tetor 1987).
65. Në rastin në fjalë, kërkuesi kur shprehte ide në lidhje me komunitetin rus-folës dhe reformën e arsimit nuk mund të thuhet se ushtronte lirinë e tij të shprehjes apo tubimit. Refuzimi i dhënies së shtetësisë nëpërmjet natyralizimit nga Këshilli i Ministrave nuk kishte qenë ndëshkimi i kërkuesit por mbrojtja e demokracisë siç përcaktohet në Kushtetutë.
66. Së fundi, në vëzhgimet e tyre pas pranueshmërisë, Qeveria vuri në dukje se në procedurat e brendshme kërkuesi kurrë nuk ishte ankuar për ndonjë ndërhyrje apo kufizim të lirisë së tij të shprehjes apo tubimit. Ai ishte ankuar shprehimisht vetëm në lidhje me vendimin për refuzimin e natyralizimit dhe prandaj ky rast duhej dalluar nga Heinisch k. Gjermanisë (nr. 28274/08, GJEDNJ 2011 (ekstrakte)).
B. Vlerësimi i Gjykatës
1. Parimet e përgjithshme
67. Vendimi[7] i Dhomës së Madhe së Gjykatës në rastin e Mouvement Rawlien Suisse k. Zvicrës (nr. 16354/06, § 48, GJEDNJ 2012 (ekstrakte)) përsëriti parimet themelore për sa i përket lirisë së shprehjes (duke iu referuar rasteve Stoll k. Zvicrës [GC], nr. 69698/01, § 101, GJEDNJ 2007-V, dhe Steel and Morris k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 68416/01, § 87, GJEDNJ 2005-II) si më poshtë:
“(i) Liria e shprehjes përbën një nga themelet bazë të një shoqërie demokratike dhe një nga kushtet bazë për progresin e saj dhe për vetë-përmbushjen e çdo individi. Sipas paragrafit 2 të nenit 10, kjo është e zbatueshme jo vetëm për ‘informacionet’ apo ‘idetë’ që janë të favorshme ose që konsiderohen si të padëmshme apo jo domethënëse, por edhe për ato që fyejnë, tronditin ose shqetësojnë. Të tilla janë kërkesat për pluralizëm, tolerancë dhe largpamësi, pa të cilat nuk mund të ekzistojë "shoqëria demokratike". Siç është përcaktuar në nenin 10, kjo liri është subjekt i përjashtimeve, të cilat ... duhet, megjithatë, të interpretohen në mënyrë rigoroze dhe çdo kufizim duhet të përcaktohet qartësisht ...
(ii) Mbiemri “i nevojshëm”, brenda kuptimit të nenit 10 § 2, nënkupton ekzistencën e një “nevoje të ngutshme shoqërore”. Shtetet Kontraktuese kanë një hapësirë të caktuar vlerësimi nëse ekziston një nevojë e tillë, por ajo i nënshtrohet edhe mbikëqyrjes evropiane, duke respektuar legjislacionin dhe vendimet që zbatohen në lidhje me të, madje edhe ato të dhëna nga një gjykatë e pavarur. Prandaj, Gjykata është e autorizuar të japë vendimin përfundimtar nëse një “kufizim” është i pajtueshëm me lirinë e shprehjes, e mbrojtur nga neni 10.
(iii) Detyra e Gjykatës, në ushtrimin e juridiksionit të saj mbikëqyrës, nuk merr rolin e autoriteteve kompetente kombëtare, por rishikon në bazë të nenit 10 vendimet e tyre bazuar në hapësirën e tyre të vlerësimit. Kjo nuk do të thotë se mbikëqyrja kufizohet në konstatimin nëse shteti i paditur ka ushtruar diskrecionin në mënyrë të arsyeshme, me kujdes dhe në mirëbesim; ajo që Gjykata duhet të bëjë është të shqyrtojë ndërhyrjen e kundërshtuar në dritën e çështjes në tërësi dhe të përcaktojë nëse ka qenë “në përpjesëtim me qëllimin legjitim të ndjekur” dhe nëse arsyet e dhëna nga autoritetet kombëtare për ta justifikuar atë janë “relevante dhe të mjaftueshme”... Kështu, Gjykata duhet të sigurohet se autoritetet kombëtare kanë zbatuar standardet në përputhje me parimet e përcaktuara në nenin 10 dhe, për më tepër, se ishin mbështetur në një vlerësim të pranueshëm të fakteve relevante...”
68. Gjykata gjithashtu thekson "efektin frikësues" që sanksionet kanë në ushtrimin e lirisë së shprehjes. Ky efekt, i cili punon në dëm të shoqërisë në tërësi, është gjithashtu një faktor që ka të bëjë me proporcionalitetin e rrjedhimisht justifikimin për sanksionet e vendosura mbi individët (shih Kudeshkina k. Rusisë, nr. 29492/05, § 99 26 shkurt 2009 me referenca të mëtejshme).
69. Kufizimet e lirisë së organizimit të përcaktuara në nenin 11, ashtu si edhe në nenin 10, do të interpretohen në mënyrë strikte dhe mund të vendosen vetëm për arsye serioze dhe bindëse. Çdo ndërhyrje duhet t’i korrespondojë një "nevoje të ngutshme shoqërore". Kështu, nocioni "i nevojshëm" nuk e ka fleksibilitetin e shprehjeve të tilla si "i dobishëm" ose "i dëshirueshëm" (shih Gorzelik dhe të tjerët k. Polonisë [GC], nr. 44158/98, § 95, GJEDNJ 2004-I).
70. Gjykata kohët e fundit ka përsëritur se pluralizmi, toleranca dhe largpamësia janë shenjat dalluese të një "shoqërie demokratike". Edhe pse interesat individuale në disa raste duhet t’i nënshtrohen atyre të grupit, demokracia nuk do të thotë thjesht se pikëpamjet e shumicës gjithmonë duhet të mbizotërojnë: duhet të arrihet një ekuilibër që garanton një trajtim të drejtë të personave nga grupet e pakicave dhe shmang çdo shpërdorim të pozitës dominuese të shumicës. Pluralizmi dhe demokracia duhet të jenë të bazuara tek dialogu dhe kompromisi dhe rrjedhimisht kërkohen kompromise të ndryshme në drejtim të individëve apo grupeve të individëve, të cilat justifikohen nga qëllimi i ruajtjes dhe promovimit të idealeve dhe vlerave të një shoqërie demokratike (shih S.A.S k. Francës [GC ], nr. 43835/11, § 128, GJEDNJ 2014 (ekstrakte) me referenca të mëtejshme). Respektimi nga ana e shtetit i pikëpamjeve të pakicës duke toleruar sjellje të cilat në vetvete nuk janë të papajtueshme me vlerat e një shoqërie demokratike, apo tërësisht jashtë normave të sjelljes së një shoqërie të tillë, nuk krijojnë pabarazi të padrejta ose diskriminim, siguron pluralizmin koheziv dhe të qëndrueshëm, si dhe promovojnë harmoninë dhe tolerancën në shoqëri (shih, mutatis mutandis, Bayatyan k. Armeninës [GC], nr. 23459/03, § 126, GJEDNJ 2011).
71. Gjykata u shpreh gjithashtu se "një vërejtje drejtuar kundër vlerave themelore të Konventës" është hequr nga mbrojtja e nenit 10 nëpërmjet nenin 17 (shih Lehideux dhe Isorni k. Francës, 23 shtator 1998, § 53, Raportet 1998-VII, dhe Garaudy k. Francës (vendim), nr. 65831/01, GJEDNJ 2003-IX). Liritë e garantuara me nenet 10 dhe 11 të Konventës nuk mund të privojnë autoritetet e një shteti, në të cilin një organizatë, përmes aktiviteteve të saj, rrezikon të drejtën e institucioneve të shtetit për t’u mbrojtur. Në lidhje me këtë, Gjykata thekson se ajo edhe më parë ka vendosur se, disa kompromise midis kërkesave të mbrojtjes së shoqërisë demokratike dhe të drejtave individuale, janë të natyrshme në sistemin e Konventës. Që të ketë një kompromis të këtij lloji, ndërhyrja nga autoritetet duhet të jetë në përputhje me paragrafin 2 të nenit 11. Gjykata, pas një shqyrtimi të plotë, vendos, në dritën e të gjitha rrethanave të rasti, nëse neni 17 i Konventës duhet të zbatohet (shih Refah Partisi (Partia e Mirëqenies) dhe të tjerë k. Turqisë [GC], nr. 41340/98, 41342/98, 41343/98 dhe 41344/98, § 96 , GJEDNJ 2003-II).
72. Gjykata vlerëson se, askush nuk duhet të mbështetet në dispozitat e Konventës me qëllim që të dobësojë ose shkatërrojë idealet dhe vlerat e një shoqërie demokratike. Si rrjedhojë, për të garantuar stabilitetin dhe efikasitetin e një sistemi demokratik, shteti duhet të marrë masa të veçanta për të mbrojtur veten. Sa herë që një shtet synon të mbështetet në parimin e "një demokracie të aftë për të mbrojtur veten" për të justifikuar ndërhyrjen në të drejtat individuale, ajo duhet të vlerësojë me kujdes qëllimin dhe pasojat e masës në shqyrtim, për të siguruar që bilanci i lartpërmendur të jetë arritur (shih Ždanoka k. Letonisë [GC], nr. 58278/00, §§ 99 dhe 100, GJEDNJ 2006-IV).
73. Së fundi, Gjykata rithekson se "e drejta e shtetësisë", e ngjashme me atë të sanksionuar në nenin 15 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, ose e drejta për marrjen ose mbajtjen e një shtetësie të veçantë, nuk është e garantuar nga Konventa ose protokollet e saj. Megjithatë, Gjykata nuk e ka përjashtuar mundësinë që mohimi arbitrar i shtetësisë në rrethana të caktuara të mund të ngrejë një çështje sipas nenit 8 të Konventës për shkak të ndikimit që një mohim i tillë mund të ketë në jetën private të individit (shih Karassev, cituar më lart, dhe Slivenko dhe të tjerët k. Letonisë (vendim) [GC], nr. 48321/99, § 77, GJEDNJ 2002-II). Po kështu, Gjykata ka vendosur se Konventa ose protokollet e saj nuk garantojnë të drejtën për të hequr dorë nga shtetësia; por kjo nuk do të thotë që refuzimi arbitrar i kërkesës për të hequr dorë nga shtetësia në disa rrethana shumë të jashtëzakonshme mund ngrejë një çështje sipas nenit 8 të Konventës, nëse një refuzim i tillë ka ndikim në jetën private të individit (shih Riener k. Bullgarisë, nr. 46343/99, §§ 153-154, 23 maj 2006).
74. Kështu, Gjykata ka vërejtur se në rrethana kur një Shtet anëtar ka shkuar përtej detyrimit të tij sipas nenit 8 në krijimin e një të drejte shtetësie dhe ka vendosur një procedurë për këtë qëllim, ai shtet rrjedhimisht duhet të sigurojë që e drejta të garantohet pa diskriminim brenda kuptimit të nenit 14 të Konventës (shih Genovese, cituar më lart, § 34).
2. Zbatimi i këtyre parimeve në çështjen konkrete
75. Gjykata vëren se, kërkuesi pretendon se liria e tij e shprehjes dhe tubimit janë cenuar nga fakti se Këshilli i Ministrave ka refuzuar kërkesën e tij për të marrë shtetësinë letoneze përmes natyralizimit, duke e ndëshkuar kështu për pikëpamjet e tij dhe duke krijuar mbi të efektin frikësues në lidhje me ushtrimin e lirive të tij. Qeveria deklaroi se duhej bërë dallimi ndërmjet vendimit për mos dhënien e shtetësisë me natyralizim dhe së drejtës së lirisë së shprehjes, kur kjo e fundit mund të ushtrohej lirshëm nga kërkuesi pavarësisht nëse e mbante apo jo shtetësinë letoneze.
76. Në kuadër të vendimit të Gjykatës për t’ia bashkuar shqyrtimit të themelit, kundërshtimin e Qeverisë për juridiksionit ratione materiae të Gjykatës (shih paragrafin 4 më lart), pyetja e parë që Gjykata duhet të përcaktojë është nëse nenet 10 dhe 11 janë të zbatueshme në rrethanat e rastit konkret.
77. Kërkuesi pretendoi se refuzimi për t’i dhënë shtetësinë letoneze përmes natyralizimit ishte një masë ndëshkuese në përgjigje të qëndrimeve të tij të shprehura gjatë demonstratave të ndryshme kundër reformës arsimore. Megjithatë, Gjykata vëren se, kërkuesi kishte qenë në gjendje të kishte pasur mundësi të shprehte lirisht pikëpamjet e tij, të cilat edhe ishin raportuar gjerësisht në mediat e asaj kohe (shih paragrafët 8, 15, 17 dhe 56 më lart). Përveç kësaj, ai vazhdoi t’i shprehë pikëpamjet e tij mbi reformën e arsimit pa asnjë pengesë, edhe pasi kërkesa e tij për natyralizim ishte refuzuar (shih paragrafët 8 dhe 15 më lart). Për më tepër, kërkuesi kishte mbetur politikisht aktiv dhe kishte vazhduar të shprehte pikëpamjet e tij edhe për çështje të tjera të interesit publik (shih paragrafin 56 më lart). Gjykata vëren se pasja ose jo e një gjendje civile të caktuar nuk duket se ka ndërhyrë tek zhvillimi i aktiviteteve qytetare të kërkuesit. Edhe pse kërkuesi pretendoi se, vendimi lidhur me kërkesën e tij të natyralizimit kishte ndikuar në guximin e tij për të folur dhe, për këtë arsye, kishte penguar pjesëmarrjen e tij në debate mbi çështje të interesit publik, Qeveria ka parashtruar prova të shumta që vërtetojnë të kundërtën (shih paragrafët 8, 15, 17 dhe 56 më lart) dhe kërkuesi nuk kishte mundur të mbështeste më tej pretendimin e tij, ose të paraqiste prova në lidhje me këtë. As nuk ishin parashtruar informacione të tjera në Gjykatë që sugjeronte se politika e Qeverisë lidhur me shtetësinë mund të gjeneronte një efekt frikësues për kërkuesin, ose të tjerë që shprehin pikëpamje të ngjashme.
78. Kërkuesi përmendi një pasojë të prekshme të refuzimit të natyralizimit: ai nuk mund të votonte ose të kandidonte për zgjedhjet komunale dhe parlamentare, apo zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Megjithatë, Gjykata vëren se ky pretendim i kërkuesit nuk ka të bëjë me të drejtat që janë të përcaktuara në nenin 3 të Protokollit 1 të Konventës (shih në ndryshim me Ždanoka, cituar më lart, § 73). As kërkuesi nuk pretendon shkelje të nenit 8 të Konventës për shkak të mos qenit në gjendje për të ruajtur statusin e tij aktual civil (në ndryshim me Kurić dhe të tjerët k. Sllovenisë [GC], nr. 26828/06, § 314, GJEDNJ 2012 (ekstrakte) ). Mbi të gjitha, vendimi i Gjykatës mbi pranueshmërinë e kërkesës konkrete para saj, përcakton objektin e kësaj çështje dhe ajo nuk përfshin ndonjë pretendim tjetër përveç atyre sipas neneve 10, 11 dhe 13 të Konventës (shih paragrafët 3 dhe 4 më lart).
79. Për më tepër, vetë kërkuesi pranoi se ai kurrë nuk kishte qenë objekt i një dënimi penal për shkak të shprehjes së mendimit të tij, apo për pjesëmarrje në ndonjë demonstratë. Nga faktet para Gjykatës del se ai kishte marrë një paralajmërim për pjesëmarrjen në një protestë; Megjithatë, ai nuk ka dhënë hollësira të mëtejshme në këtë drejtim, si datën, vendin apo kontekstin.
80. Gjykata tani do të vlerësojë nëse vendimi mbi natyralizimin kishte pasur karakter ndëshkues për sa i përket ushtrimit të lirisë së kërkuesit të shprehjes dhe tubimit. Në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, vendimet për dhënien e shtetësisë me natyralizim apo ndonjë formë tjetër janë çështje kryesisht në juridiksionin e vetë shtetit; ato rregullohen zakonisht mbi bazën e kritere të ndryshme që kanë për qëllim krijimin e një lidhje mes shtetit dhe personit që kërkon shtetësinë (shih paragrafët 37 dhe 38 më lart). Edhe pse Konventa Evropiane për Shtetësinë nuk është ratifikuar gjerësisht nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës (shih paragrafin 39 më lart), siç është theksuar në Raportin e saj Shpjegues, përkufizimi që i bën shtetësisë mbështetet në kuptimin tradicional të një lidhje të shtetësisë siç shprehet nga GJND në çështjen Nottenbohm (shih paragrafët 40 dhe 41 më lart). Zgjedhja e kritereve për natyralizimin, në parim, nuk i nënshtrohet rregullave të veçanta të së drejtës ndërkombëtare dhe shtetet janë të lira të vendosin në lidhje me natyralizimin e individëve (shih paragrafin 38 më lart). Në situata të caktuara, megjithatë, diskrecioni i shtetit mund të kufizohet nga parimi i mosndërhyrjes, sipas të cilit një shtet është i ndaluar të ndërhyjë në punët e brendshme apo të jashtme të një shteti tjetër (shih Aktivitetet Ushtarake dhe Para ushtarake në dhe kundër Nikaraguas (Nikaragua k. Shteteve të Bashkuara të Amerikës), Shqyrtimi në themel, vendim i GJND, i datës 27 qershor 1986, paragrafët 202-205). Megjithatë, një kufizim i tillë nuk mund të konsiderohet relevant për qëllimet e çështjes në fjalë.
81. Në këtë drejtim, kërkuesi shtoi dy argumente për të mbështetur pretendimin se diskrecioni i shtetit nuk ishte krejtësisht i pa kufizuar në çështjet që lidhen me dhënien e shtetësisë. Së pari, ai iu referua Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut dhe jurisprudencës së Gjykatës Ndër-Amerikane për të Drejtat e Njeriut. Megjithatë, siç Gjykata ka theksuar më lart, në bazë të Konventës nuk ka "të drejtë të shtetësisë", të ngjashme me atë të nenit 15 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut (shih paragrafin 73 më lart). Referenca e kërkuesit në jurisprudencën e Gjykatës Ndër-Amerikane për të Drejtat e Njeriut është gjithashtu e gabuar, pasi Konventa Amerikane për të Drejtat e Njeriut, e cila është një instrument rajonal, shprehimisht parashikon të drejtën e shtetësisë në nenin 20 (shih paragrafët 43 -45 sipër).
82. Argumenti i dytë i kërkuesit ishte se diskrecioni i shtetit ishte i kufizuar nga detyrimi për të reduktuar pa shtetësinë. Gjykata vëren se kërkuesi i përket një kategorie banorësh në Letoni, të cilëve u ishte dhënë një status i veçantë civil në bazë të së drejtës së brendshme - "rezidentë të përhershëm jo-shtetas" (nepilsoņi) – që ishin, qytetarët e ish-Bashkimit Sovjetik që kishin humbur shtetësinë e tyre sovjetike pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe që duke u quajtur kështu nuk kishin marrë asnjë shtetësi tjetër (shih, për më shumë detaje në lidhje me kategoritë e banorëve të Letonisë, Slivenko, cituar më lart, §§ 50-53, dhe Sisojeva dhe të tjerë, cituar më lart, §§ 46-47). Kërkuesi nuk ka treguar se si pasja ose jo e një statusi të caktuar sipas së drejtës së brendshme, do të kishte ndikuar në ushtrimin e lirisë së tij të shprehjes dhe tubimit.
83. Duke u kthyer tani në sistemin e Konventës, Gjykata rithekson se në rrethana të caktuara ka vendosur që, vendimet arbitrare ose diskriminuese në lidhje me shtetësinë mund të ngrenë çështje të së drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, në përgjithësi dhe Konventës në veçanti (shih rastet e sipërcituar e Karassev, Riener, §153, dhe Genovese, § 34). Megjithatë, siç u përmend më lart, as Konventa dhe as e drejta ndërkombëtare në përgjithësi nuk parashikojnë të drejtën për të fituar një shtetësi të caktuar. Kërkuesi e ka pranuar këtë. Gjykata vëren se Ligji letonez për Shtetësinë nuk i njeh kërkuesit të drejtën e pa kushtëzuar për marrjen e shtetësisë letoneze (shih paragrafët 20, 29 dhe 63 më lart) dhe se vendimet negative të Këshillit të Ministrave nuk mund të shihet si mohim arbitrar i shtetësisë (shih në ndryshim Genovese, cituar më lart, § 34).
84. Çështja nëse kërkuesi ka apo jo një të drejtë të diskutueshme për të marrë shtetësinë e një shteti, duhet në parim të zgjidhet duke iu referuar së drejtës së brendshme të atij shteti (shih Kolosovskiy k. Letonisë (vendim), nr. 50183/99, 29 janar 2004). Në mënyrë të ngjashme, pyetja nëse një personi i është mohuar shtetësia e një shteti arbitrarisht në një mënyrë të tillë që ngre çështje sipas Konventës, duhet të përcaktohet duke iu referuar rregullimeve të së drejtës së brendshme (shih Fehér dhe Dolník k. Slovakisë (vendim), nr. 14927/12 dhe 30415/12, § 41, 21 maj 2013). Zgjedhja e kritereve për dhënien e shtetësisë me natyralizim në përputhje me të drejtën e brendshme është e lidhur me natyrën e lidhjes ndërmjet shtetit dhe individit në fjalë që çdo shoqëri e konsideron të nevojshme për të ekzistuar. Në shumë juridiksione, marrja e shtetësisë është e shoqëruar me një betim besnikërie ku individi premton besnikëri ndaj shtetit. Gjykata ka adresuar çështjen e besnikërisë, megjithëse në një kontekst pak më të ndryshëm, atë të të drejtave zgjedhore dhe ka bërë dallimin ndërmjet besnikërisë ndaj shtetit dhe besnikërisë ndaj qeverisë (shih Tanase, cituar më lart, § 166).
85. Gjykata vëren se vlerësimi i besnikërisë për qëllime të vendimit të natyralizimit në rastin në fjalë nuk i referohet besnikërisë ndaj qeverisë në pushtet, por më tepër ndaj shtetit dhe Kushtetutës. Gjykata vëren se një shtet demokratik ka të drejtë të kërkojë që, personat të cilët dëshirojnë të marrin shtetësinë e tij, të jenë besnikë ndaj shtetit dhe në veçanti ndaj parimeve kushtetuese mbi të cilat është themeluar. Kërkuesi nuk e ka kundërshtuar këtë. Gjykata pranon pretendimin e kërkuesit se, në ushtrimin e lirisë së shprehjes dhe tubimit, ai është i lirë të mos pajtohet me politikat e qeverisë për sa kohë këto kritika zhvillohen në përputhje me ligjin; gjithashtu është e vërtetë se kufijtë e kritikës së lejueshme janë më të gjerë në lidhje me qeverinë sesa në lidhje me një person privat, apo edhe një politikan. Megjithatë, kjo është një çështje krejtësisht e ndryshme nga çështja e kritereve të përcaktuara për natyralizimin dhe procedurat e tij, të cilat janë të dyja të përcaktuara nga e drejta e brendshme. Kërkesa e besnikërisë ndaj shtetit dhe Kushtetutës nuk mund të konsiderohet si një masë ndëshkuese e tillë që ndërhynë në lirinë e shprehjes dhe tubimit. Përkundrazi, ky është një kriter që duhet të përmbushet nga çdo person që kërkon të marrë shtetësinë letoneze përmes natyralizimit.
86. Gjykata nuk sheh se në çfarë mënyre kërkuesi është penguar të shprehë mospajtimin e tij me politikën e qeverisë mbi çështjen në interes të tij. Nuk ka as fakte që tregojnë se ai ishte penguar nga pjesëmarrja në takimet apo lëvizje.
87. Rrjedhimisht, nenet 10 dhe 11 të Konventës nuk janë të zbatueshme në rrethanat e çështjes në fjalë dhe Gjykata pranon kundërshtimin e Qeverisë.
II. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIT 13 TË KONVENTËS
88. Kërkuesi, gjithashtu, pretendoi se nuk kishte asnjë mjet efektiv ligjor të brendshëm, sipas nenit 13 të Konventës, në lidhje me të drejtat që ai pretendonte se i ishin shkelur, për shkak të vendimit të Senatit të Gjykatës së Lartë, se vendimi i Këshillit të Ministrave ishte politik. Ai vërejti se kërkesa për rishikim mbikëqyrës nga prokurori publik nuk ishte një mjet efektiv ligjor pasi vendimi i tij në rastin konkret nuk ishte subjekt i ankimit.
89. Neni 13 i Kushtetutës parashikon si më poshtë:
“Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.”
90. Qeveria kundërshtoi.
91. Siç Gjykata ka vendosur në shumë raste, neni 13 i Konventës garanton disponueshmërinë në nivel kombëtar të një mjeti ligjor në çfarëdo formë qoftë ai, i përcaktuar nga rendi i brendshëm ligjor, për të siguruar zbatimin e thelbit të të drejtave dhe lirive të Konventës. Efekti i nenit 13 është sigurimi i një mjeti vendor që të merret me substancën e një "kërkese të diskutueshme" sipas Konventës dhe për t’i dhënë zgjidhjen e përshtatshme. Shtetet kontraktuese janë të lira për të zgjedhur mënyrën e përmbushjes së detyrimeve sipas kësaj dispozite të Konventës (shih, për shembull, Bazjaks k. Letonisë, nr. 71572/01, § 127, 19 tetor 2010, me referenca të mëtejshme).
92. Pasi ka konstatuar tashmë se nenet 10 dhe 11 të Konventës nuk janë të zbatueshme në rastin konkret, Gjykata arrin në të njëjtin përfundim në lidhje me nenin 13, duke qenë se nuk ka një "kërkesë të diskutueshme" sipas Konventës (shih Boyle dhe Rice k. Mbretërisë së Bashkuar, 27 prill 1988 § 52, Seria A nr. 131).
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA NJËZËRI,
1. Vendos, se nenet 10 dhe 11 të Konventës nuk janë të zbatueshme;
2. Vendos, se neni 13 i Konventës nuk është i zbatueshëm.
Hartuar në gjuhën angleze dhe njoftuar me shkrim më 13 janar 2015, sipas nenit 77 § § 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Françoise Elens-PassosPäivi Hirvelä
KancelareKryetare
[1]. U përdorën si referencë raportet e medias të 27 prillit, 28 korrikut, 14 dhe 17 gushtit 2004.
[2]. U përdorën si referencë raportet e medias të 21 shkurtit dhe 13 marsit 2004.
[3]. U përdorën si referencë raportet e medias të 21 shkurtit, 8 marsit dhe 1 prillit 2004
[4]. U përdor si referencë raporti i medias i 21 shkurtit 2004.
[5]. U përdor si referencë raporti i medias i 10 dhjetorit 2004.
[6] Për pranueshmërinë
[7] Për pranueshmërinë dhe themelin
Full & Egal Universal Law Academy