© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
GJYKATA EVROPIANE E TË DREJTAVE TË NJERIUT
SEKSIONI I TRETË
ÇËSHTJA POGHOSYAN DHE BAGHDASARYAN KUNDËR ARMENISË
(Kërkesa nr. 22999/06)
VENDIM
STRASBURG
12 qershor 2012
Ky vendim është i formës së prerë. Ai mund të pësojë modifikime nga ana e formës.
Në çështjen Poghosyan dhe Baghdasaryan kundër Armensië,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (seksioni i tretë), e përfaqsuar nga një dhomë e përbërë nga :
Josep Casadevall, kryetar,
Alvina Gyulumyan,
Egbert Myjer,
Ján Šikuta,
Ineta Ziemele,
Luis López Guerra,
Kristina Pardalos, gjyqtarë,
dhe nga Santiago Quesada, sekretar i seksionit,
Pas shqyrtimit të çështjes në dhomën e këshillit më 22 maj 2012, ky është vendimi i marrë në këtë datë :
PROCEDURA
1. Ngjarja e ka fillesën tek kërkesa (nr. 22999/06) e drejtuar kundër Republikës së Armenisë nga dy nënshtetas armenianë Z. Armen Poghosyan dhe Zj. Anahit Baghdasaryan (« kërkuesit »), të cilët, i janë drejtuar Gjykatës më 16 maj 2006 në bazë të nenit 34 të Konventës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore (« Konventa »).
2. Kërkuesit janë përfaqsuar nga Av. S. Safaryan, avokate në Erevan. Qeveria armeniane (« Qeveria ») u përfaqsua nga agjenti i saj Z. G. Kostanyan, përfaqsues i Republikës së Armenisë pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
3. Z. Poghosyan (« kërkuesi i parë ») ankohej veçanërisht se nuk kishte marrë asnjë zhdëmtim për dëmin moral të shkaktuar nga keqtrajtimet, arrestimi dhe burgosja e paligjshme, si dhe për faktin se ka qenë viktimë e një dënimi të padrejtë.
4. Më 20 nëntor 2008, kërkesa iu komunikua Qeverisë. Sipas nenit 29 § 1 të Konventës, u vendos gjithashtu që dhoma do të shprehej në të njëjtën kohë në lidhje me pranueshmërinë dhe themelin.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
5. Kërkuesit kanë lindur respektivisht në 1976 dhe 1932 dhe banojnë në Saratovka (Armeni).
6. Kërkuesja e dytë është nëna e kërkuesit të parë.
7. Më 8 tetor 1998, kërkuesi i parë, i dyshuar për dhunim dhe vrasje, u dërgua në komisariat. Procesverbali i arrestimit të tij saktësonte që i interesuari ishte arrestuar për vrasje dhe ky procesverbal ishte firmosur prej tij. Në komisariat, kërkuesi i parë u keqtrajtua nga shumë policë, dhe pranoi vrasjen për të cilën akuzohej gjatë marrjes së mëvonshme në pyetje nga një hetues.
8. Më 11 tetor 1998, kërkuesit të parë iu dha masa arrest me burg pa afat dhe më 21 tetor 1998, u akuzua formalisht për dhunim dhe vrasje.
9. Më 29 mars 1999, gjykata rajonale e Lorrisë e shpalli kërkuesin e parë fajtor për faktet e parashtruara dhe e dënoi me pesëmbëdhjetë vjet burg, sigurisht mbi bazën e pohimeve të tija. Gjykimi u konfirmua nga Gjykata Penale dhe Ushtarake e Apelit dhe nga Gjykata e Kasacionit respektivisht në datat 20 maj dhe 16 qershor 1999. Duket që gjatë gjithë procesit kërkuesi të jetë ankimuar më kot duke thënë se kishte qenë i detyruar të pranonte ato pohime.
10. Respektivisht në datat 6 prill dhe 1 korrik 2002, Konventa dhe Protokolli nr. 7 hyjnë në fuqi në Armeni.
11. Më 24 nëntor 2003, prokurori i përgjithshëm kërkoi rihapjen e procesit në lidhje me kërkuesin e parë për shkak të fakteve të reja që përcaktojnë pafajësinë e tij. Në kërkesën e tij, ai shprehej veçanërisht për faktin se autori i vërtetë i shkeljeve që iu ngarkuan kërkuesit të parë ishte arrestuar pasi kishte kryer një shkelje të ngjashme, dhe se dënimi i kërkuesit të parë bazohej në prova të pavërteta, të marra në kundërshtim me ligjin.
12. Më 2 prill 2004, Gjykata e Kasacionit vendosi t’i japë të drejtë kërkesës ; në këtë mënyrë, ajo anulloi dënimin e kërkuesit të parë dhe e dërgoi çështjen për informacione shtesë. Në vendimin e saj, ajo gjykonte se faktet e reja ishin zbuluar pas dënimit të kërkuesit të parë. Sipas kësaj gjykate, këto fakte, të cilat nuk njiheshin nga gjykatat në momentin kur ishte shqyrtuar çështja, tregonin që ndjekjet penale të drejtuara kundër kërkuesit kishin shkaktuar shkelje të rregullave të procedurës penale, dhe mund të kishin ndikuar në karakterin objektiv dhe tërësor të shqyrtimit të çështjes.
13. Më 17 prill 2004, filloi një procedurë penale kundër hetuesit dhe shumë policëve të implikuar në hetimin fillestar. Ata u akuzuan për abuzim të pushtetit për shkak se detyruan kërkuesin e parë të bënte një deponim.
14. Po në të njëjtën ditë, kërkuesi i parë u lirua nga burgu kundrejt një angazhimi të dhënë me shkrim për të mos u larguar nga vendbanimi. Ai kishte kryer rreth pesë vjet dhe 6 muaj nga dënimi që i ishte dhënë.
15. Më 29 prill 2004, iu dha fund ndjekjeve penale të drejtuara kundër kërkuesit të parë në zbatim të nenit 35 § 1, paragrafi 2, të Kodit të procedurës penale (KPP) për mungesë të corpus delicti.
16. Po në të njëjtën ditë, prokurori i përgjithshëm i drejtoi një letër kërkuesit të parë për ta informuar në lidhje me këtë vendim dhe për faktin se tashmë ai kishte cilësinë e « personit të pafajshëm », gjë që i jepte atij të drejtën për të kërkuar zhdëmtimin e dëmit. Prokurori i përgjithshëm shtonte gjithashtu se prokuroria i kërkonte ndjesë për këtë gabim gjyqësor.
17. Më 6 maj 2004, kërkuesi merr cilësinë e viktimës. Vendimi i duhur shprehej se kërkuesi kishte pësuar dëme psikologjike, fizike dhe materiale si pasojë e veprimeve të paligjshme të policëve dhe autoriteteve hetimore.
18. Më 15 qershor 2005, gjykata rajonale e Lorrisë shpalli dy prej policëve fajtorë për faktet e parashtruara dhe i dënoi ata me tre vjet burg shoqëruar me vendimin për të mos ushtruar disa funksione gjatë një periudhe dy vjeçare, por ajo zbatoi një masë amnistie, e cila i përjashtoi ata nga shlyerja e dënimit. Në gjykimin e saj, gjykata rajonale shprehte gjithashtu faktet e mëposhtme : më 8 tetor 1998, kërkuesi i parë dhe vëllai i tij u dërguan në komisariat ku policët kanë keqtrajtuar kërkuesin e parë me qëllim që të merrnin me forcë pohimet e tij. Kur ky i fundit nuk kishte pranuar të pohonte, njëri nga policët e kishte goditur me shkelma dhe me grushta dhe e kishte mbyllur në komisariat në kundërshtim të plotë me ligjin. Më vonë, po në të njëjtën ditë, dy nga policët e kishin goditur përsëri kërkuesin. Njëri prej tyre e kishte goditur me të dy duart në vesh, duke i shkaktuar në këtë mënyrë çarjen e daulles së veshit të majtë. Më pas, ata kishin marrë një shishe dhe kishin provuar të ulnin kërkuesin mbi të. Në të njëjtën kohë, kërkuesi i parë dëgjonte vëllanë e tij që bërtiste sepse një polic tjetër ishte duke e goditur në zyrën ngjitur. Duke menduar se nuk kishte asnjë mjet tjetër për të shmangur keqtrajtimet, kërkuesi i parë e kishte pranuar kryerjen e vrasjes për të cilën akuzohej. Të nesërmen, para se ta çonin kërkuesin e parë në vendin e krimit për të kryer një inspektim, njëri nga policët e kishte goditur disa herë me grushte si paralajmërim. Më pas, në datat 14, 16 dhe 19 tetor 1998, kërkuesin e parë e kishin nxjerrë nga qelia e tij dhe e kishin dërguar në komisariat ku policët kishin vazhduar ta keqtrajtonin me qëllim që ta bënin të pohonte se e kishte dhunuar viktimën përpara se ta vriste atë. Në pamundësi për të duruar keqtrajtimet që po pësonte, kërkuesi i parë u detyrua të pohonte atë që pritej nga ai.
19. Ky gjykim nuk ka qenë objekt apeli.
20. Më 17 shtator 2004, kërkuesi i parë iu drejtua gjykatave civile për të kërkuar një dëmshpërblim interesash për dëm material, për të cilin ai kërkonte shumën prej 34 050 000 dramë armenianë (AMD), për shkak të keqtrajtimeve, burgosjen e paligjshme dhe dënimin e padrejtë që kishte marrë. Ai përmendte nenet 3, 5 dhe 6 të Konventës.
21. Në një datë të papërcaktuar, Zj. Baghdasaryan (« kërkuesja e dytë ») ndërhyn në procedurë si bashkëkërkuese dhe kërkon një shumë të barabartë me pothuajse gjysmën e dëmshpërblim-interesave të kërkuara nga kërkuesi i parë.
22. Në një datë të papërcaktuar, kërkuesi i parë paraqiti një kërkesë shtesë me anë të së cilës ai kërkonte një shumë prej 60 000 000 AMD për dëm moral. Ai mbështeste idenë se nëse deri në atë moment kishte kërkuar zhdëmtim vetëm për dëmin material, dëmi moral që kishte pësuar ishte në fakt më i rëndësishëm. Sipas tij, jurisprudenca e Gjykatës e parashikonte një dëmshpërblim në lidhje me dëmin moral të pësuar në çështje të tilla.
23. Më 28 prill 2005, gjykata e rrethit të Kentronit dhe të Nork-Maraskut hodhi poshtë kërkesën e dëmshpërblimit për dëm moral me shkakun se neni 17 i Kodit civil nuk e parashikonte dëmshpërblimin për këtë lloj dëmi. Gjykata e rrethit e pranoi pjesërisht kërkesën e dëmshpërblimit për dëm material, duke vlerësuar pikërisht se në përputhje me nenin 66 të KPC, kërkuesi i parë – në cilësinë e personit të pafajshëm – kishte të drejtë të kërkonte një dëmshpërblim për arrestimin, burgosjen, akuzimin dhe dënimin e paligjshëm, dhe i akordoi 6 250 000 AMD për humbje të të ardhurave për periudhën 11 tetor 1998 - 17 prill 2004. Kërkueses së dytë iu akordua 1 500 000 AMD për shpenzime të transportit, shpenzime postare dhe shpenzime të procedurës.
24. Më 12 maj 2005, kërkuesi i parë bën apel.
25. Më 31 gusht 2005, Gjykata Civile e Apelit hedh poshtë apelin e kërkuesit duke konfirmuar gjykimin e gjykatës së rrethit.
26. Më 16 shtator 2005, kërkuesit i drejtohen Gjykatës së Kasacionit.
27. Më 18 nëntor 2005, Gjykata e Kasacionit e rrëzon kërkesën e tyre.
II. LIGJET E BRENDSHME
A. Kodi civil (siç ka qenë në fuqi që prej 1 janarit 1999)
28. Dispozitat e duhura të Kodit civil janë si më poshtë :
Neni 17 : Zhdëmtimi i dëmit
« 1. Çdo person, të drejtat e të cilit janë shkelur, mund të kërkojë të dëmshpërblehet tërësisht për dëmin që ka pësuar, përveç rasteve kur parashikohet një riparim më i vogël i dëmit nga ligji apo nga një kontratë.
2. Dëmshpërblim-interesat përkojnë me shpenzimet e kryera apo që do të kryhen nga personi, të drejtat e të cilit janë shkelur, për korrigjimin e shkeljes, humbjen e të mirave apo dëmin që rrjedh prej tyre (dëm material), përfshirë humbjen e të ardhurave që personi do të kishte pasur në kushtet normale të një jete civile, nëse nuk do të kishte ndodhur shkelja (humbja e pagës). (...) »
Neni 1064 : Përgjegjësia që rrjedh nga veprimet e paligjshme të instruktorit, autoriteteve hetimore, prokurorisë ose gjykatave
« 1. Dëmi që rrjedh nga një dënim i paligjshëm, ndjekje penale [e paligjshme], nga një vendosje [e paligjshme] e një mase parandaluese që merr formën e një paraburgimi ose të një angazhimi me shkrim për të mos u larguar nga vendbanimi, apo nga vendosja [e paligjshme] e një gjobe administrative duhet të dëmshpërblehet tërësisht nga Republika e Armenisë, në kuadrin e një procedure të parashikuar nga ligji, pavarësisht nga gabimi i kryer nga punonjësit që punojnë për instruktorin, autoritetet hetimore, prokurorinë ose gjykatat. (...) »
B. Kodi i procedurës penale (siç ka qenë në fuqi që prej 12 janarit 1999)
29. Dispozitat e duhura të Kodit të procedurës penale janë si më poshtë :
Neni 35 : Rrethanat që pengojnë fillimin e ndjekjeve penale apo një procedure penale
« 1. Nuk do të vendoset fillimi i një procedure penale (Քրեական գործի վարույթ) dhe as i ndjekjeve penale (քրեական հետապնդում), dhe do të shuhen procedurat penale të filluara tashmë në rastet e mëposhtme (...) 2) kur aktit i mungon corpus delicti ; (...)
III. DOKUMENTET E DUHURA TË KËSHILLIT TË EUROPËS
Raporti shpjegues i Protokollit nr. 7 të Konventës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore (STE nr. 117)
30. Fragmentet e duhura nga raporti shpjegues janë si më poshtë :
Neni 3
« 22. Ky nen parashikon zhdëmtimin e personit viktimë të një gabimi gjyqësor sipas disa kushteve.
Së pari, personi në lidhje me çështjen duhet të jetë deklaruar fajtor për një shkelje nga një vendim përfundimtar dhe të ketë pësuar dëmin për arsye të këtij vendimi. Sipas përkufizimit të dhënë në raportin shpjegues të Konventës evropiane mbi vlerën ndërkombëtare të gjykimeve shtypëse, një vendim është përfundimtar « nëse ai është i formës së prerë. Vendimi i gjykatës merr formë te prerë kur ai është i parevokueshëm, pra kur nuk mund të bëhet ankim kundër tij me anë të mjeteve të ankimit të parashikuara nga ligji, kur palët i kanë shterruar mjetet e ankimit ose kur ato nuk kanë bërë ankim brenda afateve të caktuara » (5). Nga kjo rrjedh që një gjykim i dhënë në mungesë nuk mund të konsiderohet si përfundimtar për aq kohë sa ligji vendas e krijon mundësinë për rifillimin e procedurës. Po ashtu, ky nen nuk zbatohet në rastet kur tërhiqet akuza ose kur personi i akuzuar ka fituar pafajësinë nga gjykata e shkallës së parë ose pas ankimit në një juridiksion më të lartë. Nga ana tjetër, nëse në një nga shtetet ku parashikohet një mundësi e tillë (6), personi ka marrë autorizimin për të bërë apel (application for leave to appeal) pas skadimit të afatit të zakonshëm të parashikuar nga ligji për të bërë apel dhe nëse dënimi i tij anullohet në apel, ky nen mund të zbatohet (duke pasur si rezervë kushtet e tjera të parashikuara nga ky nen, dhe në mënyrë të veçantë atë që përmendet më poshtë, në paragrafin 24).
23. Së dyti, neni zbatohet vetëm në rastin kur dënimi i një personi anullohet, ose kur atij i akordohet falja sepse, sipas të dyja hipotezave, një fakt i ri ose i rizbuluar rishtas provon se është kryer një gabim gjyqësor – pra një mungesë e rëndë në një proces shkakton një dëm të rëndësishëm për personin që është dënuar. Si pasojë, në bazë të këtij neni, nuk është e nevojshme të derdhet dëmshpërblimi nëse dënimi është anulluar ose personit i është akorduar falja për arsye të tjera. Nga ana tjetër, neni nuk përmban asnjë rregull në lidhje me natyrën e procedurës që duhet ndjekur për të vërtetuar një gabim gjyqësor. Kjo çështje lidhet me të drejtën e brendshme ose me praktikën që zbatohet në shtetin në fjalë. Fjalët « ose kur personit i është akorduar falja » janë përfshirë në nen sepse në disa sisteme juridike, falja, në disa raste, mund të jetë më shumë ankimi i duhur pas një vendimi përfundimtar sesa një procedurë gjyqësore që shërben për rishikimin e dënimit.
24. Së fundi, ky nen nuk jep asnjë të drejtë zhdëmtimi nëse provohet se moszbulimi në kohën e duhur i faktit të panjohur është shkaktuar tërësisht ose pjesërisht nga personi i dënuar.
25. Në rastet kur kushtet paraprake janë plotësuar, dëmshpërblimi derdhet « në përputhje me ligjin apo praktikën e ndjekur në shtetin në fjalë ». Këto fjalë nuk mund të interpretohen sikur asnjë dëmshpërblim nuk duhet të derdhet kur ligji apo praktika e brendshme në fuqi nuk e parashikojnë. Ligji apo praktika në fuqi duhet të parashikojnë derdhjen e një dëmshpërblimi në të gjitha rastet kur zbatohet ky nen. Në konceptimin e autorëve të kësaj dispozite, shtetet janë të detyruara të zhdëmtojnë personat vetëm në rastet e qarta të gabimit gjyqësor, pra atëherë kur është pranuar që personi është krejtësisht i pafajshëm. Ky nen nuk ka si qëllim të parashikojë të drejtën e kompesimit në rastet kur nuk janë plotësuar të gjtha kushtet paraprake ; për shembull, kur gjykata e apelit ka anulluar një dënim sepse është zbuluar një fakt që ka hedhur një dyshim të arsyeshëm mbi fajësinë e të akuzuarit dhe që nuk është marë në konsideratë nga gjykatësi i shkallës së parë. »
E DREJTA
I. MBI CILËSINË E VIKTIMËS SË KËRKUESES SË DYTË
31. Së pari, Gjykata mendon se është e nevojshme të shprehet për faktin nëse kërkuesja e dytë e ka apo jo cilësinë e viktimës. Ajo kujton se me « viktimë », neni 25 përcakton personin që lidhet drejtpërdrejt me aktin ose me shkeljen e konstatuar (shih ndër të tjera, Vatan kundër Rusisë, nr. 47978/99, § 48, 7 tetor 2004).
32. Në këtë rast, vetëm kërkuesi i parë ka qenë viktimë e keqtrajtimeve, e burgosjes dhe objekt i një dënimi i cili më pas është anulluar. Në këtë mënyrë, Gjykata mendon se kërkesa që lidhet me kërkuesen e dytë është e papajtueshme ratione personae me dispozitat e Konventës, sipas nenit 35 § 3 dhe duhet të rrëzohet në zbatim të nenit 35 § 4 të Konventës.
33. Në këtë mënyrë, Gjykata do të kufizojë shqyrtimin e ankesave të ngritura nga kjo kërkesë dhe do të shqyrtojë vetëm ato që lidhen me kërkuesin e parë, i cili – për arsye thjeshtimi – do të cilësohet nga termi « kërkues ».
II. MBI SHKELJEN E ANKIMUAR TË NENEVE 5 § 5 DHE 13 TË KONVENTËS DHE TË NENIT 3 TË PROTOKOLLIT nr. 7 TË KonventëS
34. Kërkuesi ankohet për rrëzimin e kërkesës së tij për riparimin e dëmit moral për shkak të keqtrajtimeve që ka pësuar, arrestimin dhe burgosjen e paligjshme, si edhe për dënimin e padrejtë. Gjykata mendon se kjo anksesë duhet të shqyrtohet nën këndvështrimin e neneve 5 § 5 dhe 13 të Konventës, si edhe nga neni 3 i Protokollit nr. 7 të Konventës, që shprehen si më poshtë :
Neni 5 § 5 i Konventës
5. « Çdo person, viktimë e një arrestimi ose e një burgimi në kushte të kundërta me dispozitat e këtij neni ka të drejtë për dëmshpërblim. »
Neni 13 i Konventës
« Çdo person, të cilit i kanë shkelur të drejtat dhe liritë e njohura në këtë Konventë, ka të drejtë të paraqesë një ankim efektiv përpara një instance kombëtare, edhe kur kjo shkelje ka qënë kryer nga persona që veprojnë brenda ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare. »
Neni 3 i Protokollit nr. 7 të Konventës
« Kur një dënim penal përfundimtar është anulluar më vonë, ose në rast faljeje, për shkak të një fakti të ri ose të zbuluar rishtaz që provon kryerjen e një gabimi gjyqësor, personi që ka pësuar dëmin për arsye të këtij dënimi zhdëmtohet, sipas ligjit ose zakonit në fuqi në Shtetin në fjalë, me përjashtim të rastit kur është provuar se moszbulimi në kohën e duhur i faktit të panjohur është shkaktuar tërësisht ose pjesërisht prej tij. »
A. Pranueshmëria
35. Gjykata vëren se mund të ngrihet një pyejte në lidhje me kompetencën e saj në planin kohor për të shqyrtuar rrethanat që çuan në ankesën e kërkuesit në lidhje me faktin që keqtrajtimet, arrestimi, burgosja e paligjshme, si edhe dënimi i padrejtë për të cilat i interesuari ankohet se ka qenë viktimë nën këndvështrimin e neneve 3, 5 dhe 6 të Konventës, shkojnë përtej kompetencës së saj ratione temporis (paragrafët 55-57 më poshtë). Megjithatë, Gjykata konstaton se hetimi mbi keqtrajtimet e kryera ndaj kërkuesit, dënimi i policëve dhe veprimi për zhdëmtim që rrodhi më pas kanë ndodhur pas datës së hyrjes në fuqi të Konventës në Armeni. Në këtë mënyrë, ajo mendon që ankesat e kërkuesit në lidhje me nenet 5 § 5 dhe 13 të Konventës dhe nenit 3 të Protokollit nr. 7 të Konventës kanë lidhje me kompetencën e saj ratione temporis.
36. Gjykata konstaton se këto ankesa nuk janë dukshëm të pabazuara në nenin 35 § 3 a) të Konventës. Nga ana tjetër, Gjykata shprehet se ato nuk bien në kundërshtim me asnjë arsye papranueshmërie. Prandaj, ato duhet të deklarohen të pranueshme.
B. Themeli
1. Argumentet e palëve
a) Qeveria
37. Në lidhje me nenin 5 § 5, Qeveria mbështet idenë se kjo dispozitë presupozon shkeljen e njërës apo të disa dispozitave të tjera të nenit 5, çka nuk mund të ekzistojë në rastin në fjalë. Ajo shpjegon se juridiksionet kombëtare kanë vepruar në përputhje me ligjin sepse arrestimi dhe burgosja e kërkuesit në periudhën e konsideruar nuk binin në kundërshtim me nenin 5. Sipas saj, nuk ekziston asnjë shkelje e nenit 5 § 1 a) për arsyen se kërkuesi është dënuar nga një gjykatë kompetente. Po ashtu, nuk ka shkelje as të nenit 5 § 1 c) meqënëse arrestimi i kërkuesit kishte si qëllim të nxirrte të interesuarin përpara autoritetit kompetent sepse ishte akuzuar për dhunim dhe vrasje. Qeveria mendon se në momentin e fakteve, gjykata vendase nuk kishte në dispozicion asnjë provë të natyrës që do të justifikonte miratimin e një vendimi të ndryshëm. Ajo shton gjithashtu se nuk mund të ketë pasur shkelje të nenit 5 § 2 meqënëse kërkuesi e ka firmosur proces-verbalin e arrestimit të tij ditën kur e kanë shoqëruar në komisariat, çka tregon që i interesuari ishte informuar në mënyrë të qartë për shkakun e arrestimit të tij.
38. Qeveria mendon se anullimi i mëvonshëm i dënimit të kërkuesit dhe shuarja e procedurës penale kundrejt të interesuarit nuk e kanë bërë arrestimin dhe burgosjen e tij të papajtueshme me nenin 5, për arsye se ato janë kryer në përputhje me kërkesat e kësaj dispozite dhe mbi bazën e një dyshimi të arsyeshëm.
39. Në lidhje me nenin 13, Qeveria mbështet idenë se kërkuesit i ishte dhënë një mundësi e kënaqshme për riparimin e dëmit. Ajo tregon veçanërisht se në momentin e zbulimit të fakteve të reja, filluan menjëherë ndjekjet penale kundër policëve të përfshirë në këtë çështje, kërkuesit iu akordua cilësia e viktimës, policët morën dënimin e duhur, ndjekjet penale kundrejt të interesuarit u shuan dhe kërkesa e tij për dëmshpërblim-interesash u pranua. Ajo kujton gjithashtu se prokurori i përgjithshëm i ka kërkuar ndjesë zyrtarisht kërkuesit për gabimin gjyqësor. Të gjitha këto masa duhet të konsiderohen si një riparim i mjaftueshëm për të gjithë dëmin moral që ka pësuar kërkuesi. Nga ana tjetër, faktet e këtij rasti ndryshojnë nga ato të çështjeve Keenan kundër Mbretërisë së Bashkuar (nr. 27229/95, § 130, CEDH 2001‑III) dhe Kontrová kundër Sllovakisë (nr. 7510/04, § 64, 31 maj 2007) sepse kjo çështje nuk ngre asnjë problematikë në lidhje me nenin 3.
40. Së fundi, përsa i përket nenit 3 të Protokollit nr.7, Qeveria mendon se kërkuesit i është dhënë një dëmshpërblim i përshtatshëm. Ajo thekson në mënyrë të veçantë se i interesuari ka marrë dëmshpërblim-interesat për dëmin material, si edhe ndjesën zyrtare të prokurorit të përgjithshëm, çka duhet të konsiderohet si një riparim i mjaftueshëm i dëmit moral. Nga ana tjetër, neni 3 i Protokollit nr. 7 kërkon pagesën e një dëmshpërblimi në përputhje me të drejtën ose me praktikën që zbatohet në shtetin në fjalë. Kështu, për Qeverinë, riparimi – në formën e të kërkuarit ndjesë – që ka marrë kërkuesi për dëmin moral, nuk ishte arbitrar sepse një praktikë e tillë ishte e zakonshme në situata të ngjashme.
b) Kërkuesi
41. Kërkuesi mbështet idenë se nenet 3, 5 dhe 6 janë të zbatueshëm në çështjen e tij dhe akordimi i një dëmshpërblimi të drejtë kishte një rëndësi thelbësore. Sipas tij, ndjesa e prokurorit të përgjithshëm nuk duhet marrë seriozisht për faktin se ai i kishte bashkëngjitur letrës zyrtare një version të Konti i Montekristos të Alexandre Dumas-së. Sido që të jetë, vuajtja, ankthi mendor dhe dhimbja e fortë fizike që ka kaluar gjatë pesë viteve e gjysmë meritojnë të dëmshpërblehen në mënyrë më të arsyeshme sesa duke kërkuar thjesht ndjesë. Përveç kësaj, kërkuesi shton se në datën 1 shtator të çdo viti gjatë periudhës së burgimit të tij, televizioni i shtetit armen ka transmetuar një program të hartuar nga policia armene që tregon se ai e kishte pranuar fajësinë e tij. Në këtë mënyrë, ai thotë se është poshtëruar vazhdimisht në sytë e publikut të gjerë dhe, pas shpalljes së pafajsisë, nuk është marrë asnjë masë nga autoritetet për të vënë sërish në vend reputacionin e tij. Përveç kësaj, i interesuari tregon se është martuar në vitin 2007, por akoma s’ka mundur të ketë fëmijë dhe sipas mjekëve, kjo vjen si pasojë e rrethanave të dënimit të tij. Kërkuesi deklaron gjithashtu se vuan nga një otitis media në veshin e majtë dhe nga një shurdhim i perceptimit bilateral të shkallës së parë apo të dytë për shkak të goditjeve që ka marrë në vesh. Ai merr gjithmonë qetësues për dhimbjet dhe shurdhimi i tij mendohet të jetë i pakthyeshëm. Ai thekson gjithashtu se gjykatat nuk i kanë akorduar asnjë dëmshpërblim për këtë, ndonëse është pranuar nga këto të fundit se kërkuesi ka pësuar keqtrajtime. Së fundi, ai nuk mund të pranojë argumentin e Qeverisë sipas të cilës arrestimi i tij është kryer në përputhje me nenin 5 dhe bazohej në dyshime të arsyeshme sepse shenjat e keqtrajtimeve ishin mjaft të dukshme në trupin e tij. Nga ana tjetër, kërkuesi pohon se ka refuzuar vazhdimisht të pranojë akuzat e ngritura kundrejt tij në gjykata dhe kujton se ka paraqitur ankesa deri në instancat më të larta për të kundërshtuar dënimin e tij.
2. Vlerësimi i Gjykatës
42. Gjykata mendon se është e nevojshme të shqyrtohen fillimisht ankesat që bazohen në nenin 13 të Konventës dhe në nenin 3 të Protokollit nr.7, dhe më pas ato që lidhen me nenin 5 § 5 të Konventës.
a) Neni 13 i Konventës
43. Gjykata vëren sërish se e ka të pamundur – për shkak të moskompetencës së saj – të shqyrtojë rrethanat e trajtimit që ka pësuar kërkuesi në komisariat në mënyrë që të përcaktojë nëse është apo jo në përputhje me nenin 3 të Konventës (paragrafet 55-57 më poshtë). Megjithatë, ajo kujton se neni 13 mund të hyjë në lojë edhe nëse nuk ka shkelje të ndonjë klauzole tjetër të Konventës. Kjo dispozitë garanton ekzistencën në të drejtën e brendshme të një ankimi që mundëson respektimin – dhe të denoncojë në këtë mënyrë mosrespektimin – e të drejtave dhe lirive të Konventës ashtu siç ato janë parashtruar. Kështu, që neni 13 të hyjë në lojë, mjafton që personi në fjalë të hartojë një ankesë që mund të mbrohet nga Konventa (Boyle dhe Rice kundër Mbretërisë së Bashkuar, 27 prill 1988, § 52, seria A nr. 131).
44. Gjykata mendon se keqtrajtimet që ka pësuar kërkuesi nga policët janë provuar pa asnjë lloj ambiguiteti nga juridiksionet kombëtare, veçanërisht në gjykimin e dhënë nga gjykata rajonale e Lorrisë më 15 qershor 2005, e cila dënon dy policët e përfshirë në ngjarje (paragrafi 18 më sipër). Që nga ky moment, Gjykata mendon se kërkuesi i ka paraqitur juridiksioneve të brendshme një ankesë që mund të mbrohet nga neni 13, përderisa ai ka paraqitur një ankim në këto instanca ku dëshmon se i është nënshtruar keqtrajtimeve që ndalohen nga neni 3 i Konventës.
45. Kërkuesi kërkon riparimin e dëmit, sidomos për keqtrajtimet e pësuara, duke ngritur një procedurë të veçantë pas dënimit të policëve, dhe kërkoi veçanërisht dëmshpërblime-interesa për dëmin moral (paragrafi 22 më sipër). Gjithësesi, ai nuk ka arritur asgjë me këtë rrugë sepse ky lloj riparimi nuk parashikohet nga e drejta e brendshme.
46. Pyetja që shtrohet është të dihet nëse në këtë kontekst, neni 13 kërkon propozimin e një dëmshpërblimi të tillë. Vetë Gjykata akordon një dëmshpërblim të drejtë në rastet e duhura, duke pranuar se dhimbja, stresi, ankthi dhe frustrimi kërkojnë një zhdëmtin të përshtatshëm për dëmin moral të shkaktuar. Ajo është shprehur gjithashtu se në rastin e shkeljes së neneve 2 dhe 3 të Konventës, të cilat janë dispozitat më themelore të saj, zhdëmtimi i dëmit moral që rrjedh nga shkelja duhet në parim të figurojë në numrin e ankimeve të mundshme (Keenan, lartpërmendur, § 130, dhe Kontrová, lartpërmendur, § 64).
47. Në këtë rast, Gjykata arrin në përfundimin se kërkuesi duhet të kishte pasur mundësinë të kërkonte riparimin e dëmit moral që ka pësuar për shkak të këtyre keqtrajtimeve. Meqënëse asnjë riparim i tillë nuk parashikohet nga e drejta armene, kërkuesi ka qenë i privuar nga një ankim efektiv.
48. Në këtë mënyrë, ka pasur shkelje të nenit 13 të Konventës.
b) Neni 3 i Protokollit nr. 7 të Konventës
49. Gjykata rikujton se neni 3 i Protokollit nr. 7 ka si qëllim t’u japë të drejtën e riparimit të dëmit personave që janë dënuar për shkak të një gabimi gjyqësor në rastet kur dënimi i tyre është anulluar nga gjykatat e brendshme për shkak të fakteve të reja apo atyre të zbuluara rishtas. Si pasojë, neni 3 i Protokollit nr. 7 nuk mund të zbatohet përpara anullimit të vendimit (Matveïev kundër Rusisë, nr. 26601/02, §§ 38-39, 3 korrik 2008).
50. Në këtë rast, meqënënse dënimi i kërkuesit është anulluar dhe ai ka kërkuar riparimin e dëmit pas datës 1 korrik 2000, data e hyrjes në fuqi të Protokollit nr. 7 për Armeninë, kushtet që duhet të plotësohen për kompetencën ratione temporis janë përmbushur (ibidem). Për më tepër, Gjykata mendon se ky nen mund të zbatohet në çështjen e kërkuesit sepse të gjitha kushtet e nevojshme janë plotësuar.
51. Në lidhje me respektimin e garancive të nenit 3 të Protokollit nr. 7, Gjykata mendon se nëse kjo dispozitë garanton pagesën e një dëmshpërblimi në përputhje me ligjin ose praktikën që zbatohet në shtetin në fjalë, kjo nuk do të thotë që nuk duhet të derdhet asnjë dëmshpërblim kur e drejta apo praktika e brendshme nuk e parashikon atë (shih gjithashtu paragrafin 25 të raportit shpjegues të Protokollit nr. 7 të Konventës, paragrafi 30 më sipër). Përveç kësaj, Gjykata mendon se qëllimi i nenit 3 të Protokollit nr. 7 nuk është thjesht të mbulojë çdo humbje financiare të shkaktuar nga dënimi i gabuar, por gjithashtu t’i japë një personi të dënuar për shkak të një gabimi gjyqësor një dëmshpërblim për dëmin moral që ai ka pësuar, siç është ndjenja e hidhërimit apo e ankthit, pakënaqësitë e ndryshme dhe prishja e cilësisë së jetës. Mirëpo kërkuesi nuk ka përfituar asnjë dëmshpërblim të kësaj natyre.
52. Në këtë mënyrë, ka pasur shkelje të nenit 3 të Protokollit nr. 7 të Konventës.
c) Neni 5 § 5 i Konventës
53. Gjykata mendon se kjo ankesë lidhet me atë të shqyrtar më sipër dhe e deklaron atë të pranueshme.
54. Në lidhje me konstatimin e bërë për nenin 3 të Protokollit nr. 7 (paragrafi 52 më sipër), Gjykata e gjykon të panevojshme të shqyrtojë në këtë rast nëse ka pasur shkelje të nenit 5 § 5 të Konventës.
III. MBI SHKELJET E TJERA TË ANKIMUARA TË KONVENTËS
55. Në ankimin e tij, kërkuesi shprehet gjithashtu se keqtrajtimet, arrestimi, burgosja e paligjshme, si dhe fakti që ka qenë viktimë e një dënimi të padrejtë, ka sjellë shkelje të neneve 3, 5 dhe 6 të Konventës.
56. Gjykata rikujton se sipas rregullave të përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare, dispozitat e Konventës nuk e lidhin një Palë kontraktuese me një akt apo fakt të ndodhur para datës së hyrjes në fuqi të Konventës për këtë palë dhe as me një situatë e cila kishte pushuar së ekzistuari para kësaj date (Blečić kundër kundër Kroacisë [GC], nr. 59532/00, § 70, CEDH 2006‑III). Ajo vëzhgon që faktet kundërshtuese kanë ndodhur para datës 26 prill 2002, data e hyrjes në fuqi të Konventës në Armeni.
57. Në këtë mënyrë, kjo pjesë e kërkesës është e papajtueshme ratione temporis me dispozitat e Konventës në bazë të nenit 35 § 3 dhe si pasojë duhet të rrëzohet në zbatim të nenit 35 § 4.
58. Së fundi, kërkuesi ankohet duke u bazuar te të njëjtat nene se kërkesa e tij për dëmshpërblim material nuk është pranuar plotësisht.
59. Duke marrë në konsideratë tërësinë e elementeve që disponon kërkuesi, dhe meqënëse kjo ankesë është në kompetencën e saj, Gjykata nuk sheh asnjë shkelje të dukshme të të drejtave dhe lirive të parashikuara në Konventë dhe në Protokollet e saj. Në këtë mënyrë, kjo pjesë e kërkesës duhet të rrëzohet për mungesë të dukshme të themelit, në zbatim të neneve 35 §§ 3 dhe 4 të Konventës.
IV. MBI ZBATIMIN E NENIT 41 TË KONVENTËS
60. Sipas nenit 41 të Konventës,
« Kur Gjykata deklaron shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj, dhe në qoftë se e drejta e brendëshme e Palës së Lartë kontraktuese mundëson vetëm një mënjanim të pjesshëm të pasojave që kanë rrjedhur nga kjo shkelje, Gjykata, kur ka vend, i cakton palës së dëmtuar një shpërblim të drejtë. »
A. Dëmi
61. Kërkuesi kërkon 34 000 000 AMD për dëm material, përfshirë këtu shpenzimet dhe humbjen e të ardhurave. Përveç kësaj, ai kërkon 174 959 euro (EURO) për dëm moral.
62. Qeveria mbështet idenë se kërkesa e kërkuesit për dëm material është krejtësisht e pabazuar dhe se ajo është pranuar nga gjykatat e brendshme ; përveç kësaj, ajo mendon se kërkesa e kërkuesit për dëm moral është e pabazuar.
63. Gjykata nuk shikon asnjë lidhje shkakore mes shkeljes së konstatuar dhe dëmit material të ankimuar dhe për këtë arsye, ajo e rrëzon këtë kërkesë. Nga ana tjetër, ajo konsideron se është me vend t’i akordohen kërkuesit 30 000 EURO për dëmin moral që ka pësuar.
B. Shpenzime dhe pagesa
64. Kërkuesit kërkojnë gjithashtu 1 000 EURO për shpenzimet dhe pagesat e kryera në Gjykatë, përfshirë shpenzimet proceduriale, të përkthimit dhe të korrespondencës.
65. Qeveria mendon se kërkesa e kërkuesit për shpenzime dhe pagesa nuk justifikohet plotësisht.
66. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, një kërkues mund të arrijë të marrë rimbursimin e shpenzimeve dhe pagesave të kryera vetëm nëse ato shprehin vërtetësinë e tyre, domosdoshmërinë dhe karakterin e arsyeshëm të shumës së paraqitur. Në këtë rast, duke marrë në konsideratë dokumentet që disponon dhe kriteret e mësipërme, Gjykata e mendon si të arsyeshme t’i akordojë shumën 500 EURO për procedurën e kryer në të.
C. Interesa të vonuara
67. Gjykata e gjykon si të arsyeshme të llogarisë përqindjen e interesave të vonuara mbi bazën e kursit marxhinal të huave afatshkurtra të Bankës qëndrore evropiane, përqindja e të cilit rritet me tri pikë.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Deklaron njëzëri si të pranueshme kërkesën në lidhje me ankesën e bazuar në nenet 5 § 5 dhe 13 të Konventës dhe në nenin 3 të Protokollit nr. 7 mbi rrëzimin e kërkesës së paraqitur nga kërkuesi për dëmshpërblim-interesash për dëm moral, dhe deklaron të papranueshme kërkesën për pjesën që mbetet ;
2. Vendos që ka pasur shkelje të nenit 13 të Konventës ;
3. Vendos që ka pasur shkelje të nenit 3 të Protokollit nr. 7 të Konventës ;
4. Vendos që nuk ka qenë e nevojshme të shqyrtohet ankesa e bazuar në nenin 5 § 5 të Konventës ;
5. Vendos
a) që shteti i paditur duhet t’u derdhë kërkuesve brenda tri muajve duke filluar nga dita kur vendimi është i formës së prerë në përputhje me nenin 44 § 2 të Konventës, shumat e mëposhtme që duhet të konvertohen në monedhën e shtetit të paditur sipas kursit që zbatohet ditën e pagesës :
i) 30 000 EURO (tridhjetë mijë euro), plus çdo shumë që mund t’i duhet kërkuesit si tatim mbi shumën e dhënë, për dëm moral ;
iii) 500 EURO (pesë qind euro), plus çdo shumë që mund t’i duhet kërkuesit si tatim mbi shumën e dhënë, për shpenzime dhe pagesa ;
b) se duke filluar nga data e skadimit të afatit dhe deri në ditën e kryerjes së pagesës, këto shuma do të rriten me një interes të ulët, përqindja e të cilit është e njëjtë me kursin marxhinal të huave afatshkurtra të Bankës Qëndrore Evropiane që zbatohet gjatë kësaj periudhe, përqindja e të cilit rritet me tri pikë;
6. Rrëzon kërkesën për shpërblim të drejtë për pjesën e mbetur.
Hartuar në anglisht, më pas transmetuar me shkrim më 12 qershor 2012, në zbatim të nenit 77 §§ 2 dhe 3 të rregullores.
Santiago QuesadaJosep Casadevall
SekretarKryetar
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jotregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund) Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Tout personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy