SEKSIONI I DYTË
ÇËSHTJA PRIZRENI KUNDËR SHQIPËRISË
(kërkesa nr. 29309/16)
VENDIM
STRASBURG
11 qershor 2019
Ky vendim është bërë i formës së prerë, bazuar në nenin 44 § 2 të Konventës.
Ai mund të bëhet objekt i rishikimit redaktues.
Në çështjen Prizreni kundër Shqipërisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (seksioni i dytë), e mbledhur si një Dhomë e përbërë nga:
Robert Spano, kryetar,
Marko Bošnjak,
Işıl Karakaş,
Julia Laffranque,
Valeriu Griţco,
Arnfinn Bårdsen,
Darian Pavli, gjyqtarë dhe Stanley Naismith, sekretar i seksionit,
pasi diskutuan me dyer të mbyllura në datën 21 maj 2019,
shpall vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në po atë datë.
PROCEDURA
1. Çështja filloi me një kërkesë (nr. 29309/16) kundër Republikës së Shqipërisë, paraqitur në gjykatë, në datën 16 maj 2016, mbështetur në nenin 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (Konventa), nga një shtetas shqiptar, z. Fatos Prizreni (kërkuesi).
2. Kërkuesi u përfaqësua nga znj. E. Skendaj, nga Komiteti i Helsinkit. Qeveria shqiptare (qeveria) u përfaqësua nga agjenti i saj, znj. Alma Hicka nga Avokatura e Shtetit.
3. Kërkuesi u ankua për mungesë të një hetimi efikas për vdekjen e vëllait të tij, teksa ishte duke vuajtur dënimin me burgim, në kundërshtim me nenin 2 të Konventës. Gjithashtu, ai u ankua për trajtimin çnjerëzor dhe degradues ndaj vëllait të tij, si rezultat i mungesës së trajtimit mjekësor dhe faktit se vëllai i tij kishte qenë i prangosur teksa ishte në spital, në kundërshtim me nenin 3 të Konventës.
4. Në datën 4 tetor 2016, qeveria u njoftua për ankesat në lidhje me mungesën e pretenduar për një hetim efikas për vdekjen e vëllait të kërkuesit, teksa ai po vuante një dënim me burgim, si edhe për një trajtim të pretenduar çnjerëzor dhe degradues si rezultat i mungesës së trajtimit mjekësor dhe faktit se kishte qenë në pranga ndërsa ishte në spital. Pjesa tjetër e kërkesës u shpall e papranueshme sipas rregullës 54 § 3 të Rregullores së gjykatës.
FAKTET
1. RRETHANAT E ÇËSHTJES
5. Kërkuesi ka lindur në vitin 1963 dhe jeton në Elbasan, Shqipëri. Ai është vëllai i SH.P., lindur në vitin 1973. SH.P. vdiq më 22 shkurt 2011.
A. Vdekja e vëllait të kërkuesit
2. Më 29 mars 2010, Gjykata e Rrethit Shkodër dënoi SH.P. me katër vjet burg për vrasje të mbetur në tentativë. Procesi u zhvillua in absentia. Më 2 dhjetor 2010, Gjykata e Apelit Shkodër la në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Shkodër. Më 3 shkurt 2011, vendimi i fundit u ekzekutua dhe SH.P. u dërgua të vuante dënimin në institucionin e paraburgimit Lezhë.
7. Nga dosja e çështjes rezulton se SH.P. u diagnostikua nga doktori i institucionit të paraburgimit Lezhë me parapanesis inferior (paralizë e pjesshme e të dyja këmbëve) dhe elephantiasis (filariasi limfatik). Më 9 shkurt 2011, SH.P. u transferua në mënyrë urgjente në Qendrën Spitalore të Burgjeve, Tiranë, sepse sipas doktorit në institucionin e paraburgimit Lezhë, ai nuk mund të trajtohej në mënyrën e duhur në një burg të zakonshëm. Më 17 shkurt 2011, ai u transferua në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë. Nga dosja spitalore e datës 17 shkurt 2011, rezulton se vëllai i kërkuesit është diagnostikuar me elephantiasis, obezitet morbid dhe pamjaftueshmëri të shumëfishtë në organe, dhe iu përcaktuan mjekimet.
8. Rezulton se më 22 shkurt 2011, SH.P. vdiq në njësinë e kujdesit intensiv në Spitalin Universitar Tiranë.
B. Veprimet hetimore
9. Në datën 22 shkurt 2011, një grup i përbërë nga një oficer i policisë gjyqësore, një kriminalist dhe një ekspert mjekoligjor, realizoi kryerjen e vendit të ngjarjes në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, dhe kryerjen e kufomës së SH.P., si edhe bëri fotografi në skenën e krimin. Në po të njëjtën ditë, oficeri i policisë gjyqësore sekuestroi kartelën klinike të SH.P., e cila mbahej në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës.
10. Më 22 shkurt 2011, oficeri i policisë gjyqësore, i ngarkuar me çështjen, urdhëroi një këqyrje mjekoligjore të SH.P. dhe i paraqiti pyetjet më poshtë ekspertëve mjekoligjorë:
“1. Çfarë dëmtimesh ishin të dukshme tek i ndjeri?
2. Çfarë i kishte shkaktuar ato?
3. Cili ishte shkaku i vdekjes së tij?
4. A kishte qenë ai subjekt i një trajtimi mjekësor neglizhent?”
11. Më 22 shkurt 2011, kërkuesi u mor në pyetje si personi me dijeni për ngjarjen. Ai pohoi se pjesëtarët e familjes së tij e kishin informuar se vëllai i tij po dërgohej në institucionin e ekzekutimin e vendimeve penale Lezhë. Më 17 shkurt 2011, nëna i kishte thënë se vëllai i tij ishte sëmurë dhe po transferohej në spitalin e Tiranës. Kur kishte mbërritur në spital, e kishte gjetur vëllanë pa ndjenja dhe të lidhur në krevat me çarçafë. Ai kishte vënë re se dysheku dhe batanijet ishin të lagura dhe se zona rreth krevatit ishte shumë e pistë. Rreth orës gjashtë të mëngjesit, më 22 shkurt 2011, motra e tij e kishte telefonuar për t’i thënë se situata e vëllait të tyre ishte përkeqësuar. Kur kishte mbërritur në spital, e kishte gjetur vëllanë të vdekur. Si shtoi se donte të dinte shkakun e vdekjes së vëllait të tij.
12. Më 25 shkurt 2011, oficeri i policisë gjyqësore, përgjegjës, kontrolloi regjistrin e shtrimeve në Spitalin e Burgut Tiranë, ku ishte regjistruar se SH.P., ishte transferuar në atë godinë, më 9 shkurt 2011.
13. Më 9 mars 2011 dhe përsëri më 25 mars 2011, Prokuroria e Tiranës kërkoi dosjen e SH.P. nga mjedisi i paraburgimit Lezhë. Më 21 mars 2011, Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Lezhë u përgjigj me anë të një shkrese, ku deklaronte se kërkuesi vuante nga dispnea, pjesët e poshtme të dy gjymtyrëve të tij kishin edemë dhe, se për këtë arsye, ai ishte transferuar me urgjencë në Spitalin e Burgut Tiranë. Gjithashtu, ata bashkëngjitën dosjen e burgut të SH.P.
14. Më 10 mars 2011, prokurori përgjegjës për çështjen urdhëroi një sërë veprimesh hetimore të cilat do të realizoheshin nga një oficer i policisë gjyqësore:
“1. Të kontaktohen ekspertët mjekoligjorë, të cilët do të kryenin një kontroll mjekoligjor për të gjetur shkakun e vdekjes së të ndjerit; 2. Të sekuestrohet dosja penale dhe kartela mjekësore e SH.P. nga ambientet e burgimit, si edhe nga spitali; 3. Të kontrollohet në regjistrat e Spitalit të Burgut Tiranës, Spitalit Universitar Tiranë dhe të spitalit civil Shkodër, për të zbuluar se kur është pranuar në spital, cila ka qenë diagnoza, sa kohë ka qëndruar atje etj., faqet e regjistrit të cilat janë relevante për kërkimin duhet t’i bashkëngjiten raportit; 4. Të merren në pyetje punonjësit e burgut të Tiranës, stafi mjekësor, i cili është kujdesur për SH.P. dhe anëtarët e familjes së tij për historikun e tij mjekësor, trajtimin e tij, kur është pranuar në spital për herë të fundit etj.; dhe 5. Të realizohen veprime të tjera të cilat mund të vlerësohen si të nevojshme përpara datës 29 mars 2011.”
15. Më 25 mars 2011, I.O., një nga doktorët që është kujdesur për vëllanë e kërkuesit në spital, i pyetur nga oficeri i policisë gjyqësore, pohoi se teksa ishte nën mbikëqyrjen e tyre, SH.P. ishte diagnostikuar me pamjaftueshmëri të shumëfishtë dhe obezitet morbid. SH.P. ishte trajtuar si çdo pacient tjetër dhe trajtimi me mjekime dhënë në recetë ishte administruar në përputhje me rregullat.
16. Më 25 mars 2011, P.D., një nga doktorët i cili ishte kujdesur për vëllanë e kërkuesit në spital, i pyetur nga oficeri i policisë gjyqësore, pohoi se SH.P. ishte transferuar në Spitalin e Burgut Tiranë nga Spitali i Burgut Lezhë. Ai ishte trajtuar si çdo pacient tjetër dhe trajtimi i dhënë në recetë ishte administruar në përputhje me rregullat.
17. Më 30 mars 2011, një grup ekspertësh mjekoligjorë ekzaminuan SH.P. Raporti mjekoligjor deklaronte, se inter alia:
“1. Në të dy parakrahët u vunë re ekimoza. Edema në ekstremitetet e poshtme. Posoriasis ...
2. Ekimoza e shkaktuar nga sende të mprehta. Pjesa tjetër e dëmtimeve janë pasojë e sëmundjeve të tjera të të ndjerit ...
3. Në gjakun e SH.P. nuk u gjendën gjurmë të mjekimeve ose të substancave narkotike ose psikotrope ...
4. Vdekja e SH.P. ishte pasojë e pamjaftueshmërisë akute kardiorespiratiore, për shkak të komplikacioneve të sëmundjes së përgjithshme metabolike ...
5. Në lidhje me pyetjen, nëse trajtimi mjekësor i SH.P. ishte neglizhuar, ky do të jetë subjekti i një kërkimi tjetër nga komisioni mjekoligjor, sapo këta të fundit të kenë dosjen hetuese në dispozicion ...”
C. Pjesa e parë e procedimeve
18. Më 24 shkurt 2011, policia raportoi vdekjen e SH.P. në Prokurorinë e Tiranës, e cila e regjistroi në dosjen penale. Pasi u kryen veprimet hetimore, më 13 prill 2011, Prokuroria e Tiranës vendosi mosfillimin e procedimit penal dhe të njoftonte palët e interesuara për atë vendim. Vendimi u mbështet në raportin mjekësor të datës 30 mars 2011, në të cilin u konstatohej se vdekja e SH.P. ishte rezultat i një pamjaftueshmërie akute respiratore dhe kardiake, si edhe e sëmundjeve të tjera. Gjithashtu, në vendim deklarohej se nuk ekzistonte asnjë fakt, e dhënë ose tregues se mund të ishte kryer një vepër penale. Më 13 maj 2011, kërkuesit iu njoftua vendimi i Prokurorisë së Tiranës.
19. Më 17 maj 2011, kërkuesi paraqiti një ankesë në Gjykatën e Rrethit Tiranë, ndaj vendimit të prokurorisë së Tiranës. Më 20 tetor 2011, Gjykata e Rrethit Tiranë e rrëzoi ankesën e kërkuesit me argumentin se ai nuk kishte pozita ligjore të ankohej ndaj vendimit të kundërshtuar, sepse ai ishte njoftuar në lidhje me të si familjar i të ndjerit. Edhe Gjykata e Shkallës së Parë deklaroi, se, sipas nenit 291 të Kodit të Procedurës Penale, vetëm personat të cilët kishin denoncuar një vepër penale mund të ankoheshin për një vendim për mosfillim të procedimit penal.
20. Më 20 prill 2012, Gjykata e Apelit Tiranë la në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Tiranë të datës 20 tetor 2011. Më 23 janar 2014, Gjykata e Lartë kundërshtoi apelimin e paraqitur nga kërkuesi. Më 17 nëntor 2015, Gjykata Kushtetuese kundërshtoi ankesat e kërkuesit ndaj vendimeve të gjykatave vendëse, me argumentin se mohimi i statusit të pozicionit për të kundërshtuar vendimin e prokurorit nuk shkelte thelbin e së drejtës së kërkuesit për të pasur akses në gjykatë.
D. Pjesa e dytë e procedimeve
21. Më 16 shkurt 2015, kërkuesi raportoi vdekjen e vëllait të tij në Prokurorinë e Tiranës. Më 27 mars 2015, Prokuroria e Tiranës vendosi mosfillimin e procedimit penal mbështetur në kallëzimin e kërkuesit. Në një datë të papërcaktuar, kërkuesi paraqiti një ankesë në Gjykatën e Rrethit Tiranë në lidhje me vendimin e sipërpërmendur. Më 18 nëntor 2015, Gjykata e Rrethit Tiranë, në referim të pjesës së parë të procedimeve dhe të provave të përdorura në ato procedime, pa dëgjuar ankuesin, vendosi të kundërshtonte ankesën e tij.
II. LIGJI PËRKATËS VENDËS
A. Kushtetuta e Shqipërisë
22. Neni 21 i Kushtetutës parashikon se jeta e çdokujt mbrohet me ligj. Neni 25 parashikon se asnjë nuk mund t’i nënshtrohet torturës apo dënimit, ose trajtimit të ashpër, çnjerëzor ose degradues.
B. Kodi i Procedurës Penale (KPP)
23. Dispozitat përkatëse të KPP-së parashikonin, në momentin në fjalë, si më poshtë:
“Neni 58
Të drejtat e personit të dëmtuar nga vepra penale
1. Personi i dëmtuar nga veprat penale ose trashëgimtarët e tij, kanë të drejtë të kërkojnë procedimin e fajtorit dhe shpërblimin e dëmit.
2. Personi i dëmtuar që nuk ka zotësi juridike për të vepruar i ushtron të drejtat që i janë njohur me ligj nëpërmjet përfaqësuesit ligjor të tij.
3. I dëmtuari ka të drejtë të parashtrojë kërkesa në organin procedues dhe të kërkojë marrjen e provave. Kur kërkesa e tij nuk pranohet nga prokurori, ai ka të drejtë të ankohet në gjykatë, brenda 5 ditëve nga marrja dijeni.
Neni 59
I dëmtuari akuzues
1. Ai që është dëmtuar nga veprat penale të parashikuara nga nenet 90, 91, 92, 112, paragrafi i parë, 119, 119/b, 120, 121, 122, 125, 127, 148, 149 dhe 254 të Kodit Penal, ka të drejtë të paraqesë kërkesë në gjykatë dhe të marrë pjesë në gjykim si palë për të vërtetuar akuzën dhe për të kërkuar shpërblimin e dëmit.
2. Prokurori merr pjesë në gjykimin e këtyre çështjeve dhe, sipas rastit, kërkon dënimin e të pandehurit ose pafajësinë e tij.
3. Nëse i dëmtuari akuzues ose mbrojtësi i caktuar prej tij nuk paraqitet në seancë pa shkaqe të arsyeshme, gjykata vendos pushimin e gjykimit.
Neni 290
Rrethanat që nuk lejojnë fillimin e procedimit
1. Procedimi penal nuk mund të fillojë dhe, në qoftë se ka filluar, duhet të pushojë në çdo gjendje të procedimit, kur:
a) personi ka vdekur;
b) personi është i papërgjegjshëm ose nuk ka mbushur moshën për përgjegjësi penale;
c) mungon ankimi i të dëmtuarit ose ai e tërheq ankimin;
ç) kur fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale ose kur del qartë që fakti nuk ekziston;
d) vepra penale është shuar;
dh) është dhënë amnisti;
e) në të gjitha rastet e tjera të parashikuara nga ligji.
Neni 291
Vendimi për mosfillimin e procedimit
1. Kur ekzistojnë rrethanat që nuk lejojnë fillimin e procedimit, prokurori jep vendim të arsyetuar për mosfillimin e procedimit.
2. Vendimi u njoftohet menjëherë atyre që kanë bërë kallëzim ose ankim, të cilët mund ta kundërshtojnë atë në gjykatë, brenda pesë ditëve nga njoftimi i vendimit.
Neni 329
Ankimi kundër vendimit të pushimit të çështjes
1. Kundër vendimit të pushimit të akuzës ose të çështjes mund të bëjnë ankim në gjykatën e rrethit gjyqësor i dëmtuari dhe i pandehuri.
2. Gjykata, kur e gjen të drejtë ankimin e të dëmtuarit vendos që hetimet të vazhdojnë, ndërsa kur pranon ankimin e të pandehurit ndryshon vendimin e pushimit me formulim më të favorshëm për të pandehurin.
3. Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim në gjykatën e apelit nga prokurori, i dëmtuari dhe i pandehuri.”
LIGJI
I. KUNDËRSHTIMI PARAPRAK I QEVERISË
Shterimi i mjeteve të brendshme dhe rregulla e gjashtë muajve
1. Parashtrimet e qeverisë
24. Qeveria parashtroi se kërkuesi nuk kishte shfrytëzuar mjetet e brendshme, sepse rruga ligjore që ai kishte zgjedhur të ndiqte ishte e gabuar. Edhe nëse do të supozohej se ai kishte shteruar mjetet e brendshme në dispozicionin e tij, sipas këndvështrimit të qeverisë, ai e kishte dorëzuar kërkesën në gjykatë, jashtë afatit gjashtëmujor, sipas vendimit të Gjykatës së Lartë të datës 23 janar 2014 dhe faktit se atij nuk i ishte kërkuara që të shfrytëzonte apelimin në Gjykatën Kushtetuese.
25. Sipas qeverisë, në lidhje me pjesën e parë të procedimeve, kërkuesi kishte qenë pasiv dhe nuk e kishte kallëzuar kurrë çështjen në prokurori. Të gjitha gjykatat vendëse kishin arsyetuar rregullisht se sipas nenit 291 të Kodit të Procedurës Penale, ai nuk mund të ishte palë në ato procedime, sepse ato nuk kishin filluar prej tij. Kishte mjete të tjera të disponueshme në sistemin e brendshëm, të cilat mund të ishin përdorur. Neni 58 i Kodit të Procedurës Penale i mundësonte palët e dëmtuara ose trashëgimtarët e tyre të kërkonin fillimin e procedimeve penale ndaj autorit të krimit dhe të kërkonin kompensim.
26. Në lidhje me pjesën e dytë të procedimeve (shih paragrafin 21 më sipër), edhe pse ato u filluan në bazë të një ankesës së re të kërkuesit në prokurori dhe çuan në një apelim dorëzuar në Gjykatën e Rrethit Tiranë, ai nuk e kishte ndjekur çështjen më larg se sa Gjykata e Shkallës së Parë. Për këtë arsye, qeveria parashtroi se ankesat e kërkuesit duhet të kundërshtoheshin si të papranueshme, duke qenë se nuk ishin shteruar mjetet e brendshme.
2. Parashtrimet e kërkuesit
27. Kërkuesi parashtroi se ai kishte shteruar mjetet e brendshme të disponueshme për të dhe se e kishte paraqitur ankesën në gjykatë, brenda afatit të parashikuar në nenin 35, paragrafi 1. Në lidhje me këtë gjë, ai iu referua praktikës gjyqësore, me një theks të veçantë në qasjen e gjykatës për zbatimin e rregullës së shterimit të mjeteve të brendshme, me një shkallë fleksibiliteti dhe pa formalizëm të tepërt. Kërkuesi parashtroi se ai i kishte kërkuar zyrtarisht oficerit të policisë gjyqësore, i cili ishte përgjegjës për të hetuar mbi vdekjen e vëllait të tij, të kryente një hetim për sqarimin e rrethanave të vdekjes së vëllait të tij. Kjo përbënte një kërkesë formale për t’i konsideruar akuzat, në përputhje me nenin 59 të Kodit të Procedurës Penale. Gjithashtu, fakti se vëllai i tij kishte vdekur përmbante ipso facto një detyrim për autoritetet, sipas nenit 2 të Konventës për të kryer një hetim efikas.
28. Në lidhje me pjesën e dytë të procedimeve, kërkuesi deklaroi se ai kishte vendosur të mos paraqiste një apelim në Gjykatën e Apelit ose në Gjykatën e Lartë, sepse nuk do të kishte asnjë mundësi për sukses, duke qenë se gjykata do ta kishte marrë çështjen në konsideratë vetëm pasi ajo do të vinte prej pjesës së parë të procedimeve.
3. Vlerësimi i gjykatës
29. Fillimisht, gjykata do të adresojë kundërshtimin e qeverisë, se kërkesa u dorëzua pasi kishte kaluar afati kohor prej gjashtë muajsh. Tashmë, gjykata, e mendimit se në rastet në lidhje me hetimin për keqtrajtim, ashtu si në ato në lidhje me një hetim për vdekjen e dyshimtë të një të afërmi, kërkuesit priten të ndërmarrin hapa për të ndjekur progresin e hetimit ose mungesën e tij, si edhe të paraqesin kërkesat e tyre në mënyrë të rregullt, sapo ata bëhen me dije ose duhet të ishin bërë me dije, për mungesën e një hetimi penal efikas (shih Mocanu dhe të Tjerët kundër Rumanisë [DHM], nr. 10865/09 dhe 2 të tjerë, § 263 GJEDNJ 2014 (ekstrakte).
30. Në çështjen në fjalë, gjykata vëren se kërkuesi e kundërshtoi vendimin e prokurorit për mosfillim të një hetimi penal formal për vdekjen e vëllait të tij deri në Gjykatën Kushtetuese, duke luajtur në këtë mënyrë një rol aktiv në proces. Një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për shkeljet e pretenduara për një gjykim të drejtë është një mjet i cili normalisht duhet të shterohet (shih Xheraj kundër Shqipërisë, nr. 37959/02, § 43, 29 korrik 2008; Beshiri dhe të Tjerët kundër Shqipërisë, nr. 7352/03, § 32, 22 gusht 2006 dhe Balliu kundër Shqipërisë (vendim), nr. 74727/01, 16 qershor 2005). Kërkesa, mbështetur në garancitë kushtetuese vendëse për një proces të rregullt dhe aksesin në gjykatë, u vlerësua e pranueshme dhe u shqyrtua nga Gjykata Kushtetuese për cilësitë e saj.
31. Kërkuesi paraqiti kërkesën në gjykatë më 16 maj 2016, kohë e cila është 5 muaj dhe 29 ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Për këtë arsye, gjykata rrëzon kundërshtimin e qeverisë, se ankesa u paraqit përtej afatit.
32. Në lidhje me kundërshtimin e dytë, në lidhje me shterimin e mjeteve të brendshme, gjykata vëren se kërkuesi i kërkoi oficerit të policisë gjyqësore, të ngarkuar për çështjen e vëllait të tij, të hetonte rrethanat e vdekjes së këtij të fundit (shih paragrafin 11 më sipër). Gjithashtu, ai kundërshtoi vendimin e prokurorit të Tiranës për mosfillim të procedimit penal deri në nivel të Gjykatës Kushtetuese (shih paragrafët 18–20).
33. Pyetja, nëse kërkuesit i duhej t’i ishte kërkuar të sillte një ankesë penale të veçantë në lidhje me rrethanat e vdekjes së vëllait të tij, lidhet ngushtë me cilësitë e ankesave të tij për nenin 2 dhe nenin 3. Në këtë rrethanë, gjykata është e mendimit se ky kundërshtim duhet të shqyrtohet së bashku me cilësitë e asaj ankese (shih paragrafët 44–45 më poshtë).
II. SHKELJE E PRETENDUAR E NENIT 2 TË KONVENTËS
34. Kërkuesi u ankua se autoritetet nuk kishin realizuar një hetim efikas për vdekjen e vëllait të tij, sipas parashikimit të nenit 2 të Konventës, e cila parashikon si më poshtë:
“1. E drejta e çdo njeriu për jetën mbrohet me ligj. Askujt nuk mund t’i merret jeta qëllimisht, me përjashtim të rastit kur zbatohet një vendim gjyqësor me vdekje, pas dënimit për një krim për të cilin ky dënim është parashikuar me ligj.”
Nëse autoritet kryen një hetim efikas
1. Parashtrimet e palëve
35. Kërkuesi parashtroi se hetimi i kryer nga autoritetet nuk ofronte informacione të kënaqshme për rrethanat në lidhje me vdekjen e vëllait të tij. Ai nuk përjashtonte, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, se dëmtimi shëndetësor i përshkruar në raportin mjekësor nuk ishte shkaktuar për arsye të keqtrajtimit të vëllait të tij dhe/ose mungesës së ndihmës së duhur mjekësore. Ekspertët mjekoligjorë, të cilët kishin kryer ekzaminimin mjekësor nuk kishin adresuar pyetjen e oficerit të policë gjyqësore, për faktin nëse trajtimi mjekësor i vëllait të kërkuesit kishte qenë i papërshtatshëm. Përkundrazi, ata kishin gjykuar se kjo gjë mbetej të verifikohej nga një tjetër komision. Gjithashtu, veprimet hetimore të kryera nuk ofronin një shpjegim bindës për mungesën e ndonjë gjurme mjekimi në gjakun e kërkuesit dhe se kjo nuk i atribuohej trajtimit të papërshtatshëm.
36. Për më tepër, kërkuesi iu referua parimeve që vinin prej praktikës gjyqësore të gjykatës në lidhje me mbrojtjen e parashikuar në nenin 2 të Konventës, për personat e ndaluar dhe në një pozicion të cenueshëm. Sipas kërkuesit, duke pasur parasysh rrethanat e veçanta të kësaj çështje, një ekzaminim mjekoligjor i detajuar ishte thelbësor për të përcaktuar shkakun e vdekjes dhe për të verifikuar nëse kishte pasur shenja keqtrajtimi.
37. Qeveria parashtroi se autoritetet kishin kryer një hetim efikas për vdekjen e SH.P. Prokurori kishte urdhëruar kryerjen e një sërë veprimesh hetimore (shih paragrafin 14 më sipër). Veçanërisht, qeveria i tërhoqi vëmendjen gjykatës në përfundimet e raportit mjekoligjor, i cili konstatoi se vdekja e SH.P. ishte shkaktuar nga një pamjaftueshmëri respiratore dhe kardiake, si rezultat i historisë së tij mjekësore.
38. Në vijim, qeveria parashtroi se stafi mjekoligjor e kishte mbajtur SH.P. në mbikëqyrje të vazhdueshme. Kjo provohej nga kartelat mjekësore të konfiskuara gjatë veprimeve hetimore. Për këtë arsye, autoritetet vendëse kishin marrë të gjitha masat e nevojshme për të ruajtur jetën e SH.P. Vdekja e tij kishte ardhur si pasojë e rrethanave përtej kontrollit të autoriteteve.
2. Vlerësimi i gjykatës
a) Parime të përgjithshme
39. Gjykata përsërit se neni 2 i Konventës, i cili garanton të drejtën për të jetuar, renditet si një nga parashikimet më themelore në Konventë. Në mbështetje të rëndësisë së mbrojtjes, parashikuar në nenin 2, gjykata duhet të shqyrtojë me kujdesin më të madh ankesat për privimin e jetës (shih McCann dhe të Tjerët kundër Mbretërisë së Madhe, 27 shtator 1995, §§ 146–47, seritë A nr. 324, dhe Nachova dhe të Tjerët kundër Bullgarisë [DHM], nr. 43577/98 dhe 43579/98, § 93, GJEDNJ 2005-VII).
40. Detyrimi për të mbrojtur jetën, sipas nenit 2 të Konventë, i lexuar në lidhje me detyrën e përgjithshme të shtetit, sipas nenit 1 të Konventës: “për të siguruar çdonjërin brenda juridiksionit [të saj] të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kushtetutë”, kërkon edhe sipas nënkuptimit se duhet të ketë një lloj hetimi efikas zyrtar në rastin kur individët janë vrarë si rezultat i përdorimit të forcës (shih Nachova dhe të Tjerët kundër Bullgarisë [DHM], cituar më sipër). Në vijim, gjykata deklaron, se kurdo që një i ndaluar vdes në rrethana të dyshimta, neni 2 u kërkon autoriteteve të kryejnë një hetim të pavarur dhe të paanshëm zyrtar, i cili përmbush standarde minimale të caktuara për efikasitetin (shih Trubnikov kundër Rusisë, nr. 49790/99, §§ 87-88, 5 korrik 2005).
41. Në vijim, në kontekstin e kujdesit për shëndetin, gjykata ka interpretuar detyrimin procedural të nenit 2, duke iu kërkuar shteteve të ngrenë një sistem efikas dhe të pavarur gjyqësor, në mënyrë që shkaku i vdekjes së pacientëve nën kujdesin mjekësor, qoftë në sektorin publik apo në atë privat, mund të përcaktohet dhe të vihen përpara llogaridhënies personat përgjegjës (shih Lopes de Sousa Fernandes kundër Portugalisë [DHM], nr. 56080/13, § 214, 19 dhjetor 2017, dhe Šilih kundër Sllovenisë [DHM], nr. 71463/01, § 192, 9 prill 2009).
42. Një hetim duhet të jetë efikas në kuptimin që ai mund të çojë në përcaktimin e fakteve dhe, aty ku është me vend, të kryhet identifikimi dhe dënimi i personave përgjegjës. Edhe pse nuk është detyrim i rezultatit por i mjeteve, çdo defiçencë në hetime, të cilat dëmtojnë mundësinë për të përcaktuar rrethanat e çështjes ose personin përgjegjës, rrezikon të ketë parregullsi me standardin e kërkuar të efikasitetit (shih Al-Skeini dhe të Tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar [DHM], nr. 55721/07, §§ 166, GJEDNJ 2011). Autoritetet duhet të veprojnë me pushtetin e tyre sapo çështja kalon në vëmendjen e tyre. Ato nuk mund ta lënë atë në iniciativën e të afërmit as për të paraqitur një ankesë formale ose për të kërkuar linja të posaçme hetimesh ose procedurash hetimesh (shih Nachova dhe të Tjerët kundër Bullgarisë [DHM], nr. 43577/98 dhe 43579/98, § 111, GJEDNJ 2005-VII). Në të gjitha rastet, i afërmi i viktimës duhet të përfshihet në procedurë në masën e nevojshme për të mbrojtur interesat e tij/saj legjitimë (shih Mustafayev kundër Azerbajxhanit, nr. 47095/09, § 72, 4 maj 2017).
43. Kërkesa për gatishmëri dhe për adresim të arsyeshëm është e nënkuptuar në këtë kontekst (shih Sidika Imrem kundër Turqisë, nr. 47384/11, § 59, 13 shtator 2016). Duhet të pranohet se mund të ketë pengesa ose vështirësi të cilat pengojnë progresin në hetim në një situatë të caktuar. Megjithatë, një përgjigje e menjëhershme nga autoritetet në hetimin e vdekjeve të dyshimta mund të konsiderohet në përgjithësi si thelbësore në ruajtjen e besimit të publikut në mbështetje të shtetit të së drejtës dhe në parandalimit të çdo forme të marrëveshjeve të fshehta ose tolerancës ndaj akteve të paligjshme (shih Merkulova kundër Ukrainës, nr. 21454/04, § 50, 3 mars 2011, dhe Armani da Silva kundër Mbretërisë së Bashkuar [DHM], nr. 5878/08, § 237, 30 mars 2016).
b) Zbatimi i parimeve të mësipërme në çështjen në fjalë
44. Fillimisht, gjykata do të adresojë parashtrimin e qeverisë, të cilin e ka bashkuar me cilësitë e çështjes, sipas së cilave kërkuesi ka pasur një qëndrim pasiv, duke mos e raportuar çështjen në prokurori (shih paragrafin 25 dhe paragrafin 33 më sipër).
45. Siç është theksuar më sipër, autoritetet duhet të veprojnë me kompetencën e tyre, në momentin që një çështje kalon në vëmendjen e tyre (shih paragrafin 40 më sipër). Për pasojë, mbetet e pamaterializuar nëse vetë kërkuesi mori një rol aktiv në përfshirjen e autoriteteve hetuese.
46. Në lidhje me detajet e hetimit të realizuar, gjykata vëren se hetimi për vdekjen e SH.P. filloi në mënyrën e duhur, në ditën e vdekjes së tij, me një ekzaminim në skenë, një ekzaminim të trupit të të ndjerit dhe konfiskimin e kartelës mjekësore (shih paragrafin 9 më sipër). Për më tepër, më 10 mars 2011, Prokuroria e Tiranës urdhëroi një sërë veprimesh hetimore (shih paragrafin 14 më sipër).
47. Më tej, gjykata vëren se ekzaminimi mjekoligjor i SH.P., i realizuar më 30 mars 2011, konstatoi se ai kishte vdekur si rezultat i pamjaftueshmërisë akute respiratore dhe kardiake, për shkak të komplikacioneve të sëmundjes së tij të përgjithshme metabolike. Gjithashtu, u konstatua se nuk ka gjurmë mjekimesh në gjakun e tij. Kartela mjekësore e SH.P., nga ana tjetër, tregonte se atij i ishin bërë një sërë mjekimesh, sipas përshkrimit të stafit mjekësor (shih paragrafin 7 më sipër).
48. Sidoqoftë, gjykata vëren disa mungesa të veçanta në veprimet hetimore të ndërmarra nga autoritetet vendëse.
49. Fillimisht, ka një mospërputhje midis informacionit të regjistruar në kartelën mjekësore, ku tregohet se vëllait të kërkuesit i janë dhënë mjekime dhe ekzaminimit mjekoligjor të datës 30 mars 2011, në lidhje me trajtimin mjekësor të SH.P. Veprimet hetimore të realizuara, nuk përcaktojnë nëse SH.P. kë qenë nën mjekim përpara vdekjes së tij dhe, nëse po, nëse ai ka qenë mjekimi i duhur, duke marrë parasysh historikun e tij mjekësor (shih paragrafin 17 më sipër). Për këtë arsye, gjykata nuk është e bindur nëse përcaktohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se vdekja e SH.P. ka ardhur si rezultat i sëmundjes së tij dhe jo për shkak të trajtimit dhe kujdesit të papërshtatshëm. Gjithashtu, hetimi nuk adreson pretendimet për prangosjen e vëllait të kërkuesit gjatë qëndrimit të tij në spital dhe, nëse një masë e tillë ka çuar në vdekjen e tij, duke marrë në konsideratë, veçanërisht, natyrën e kushteve të tij mjekësore.
50. Së dyti, gjykata vëren se vendimi i prokurorisë së datës 13 prill 2011, për mosfillimin e një hetimi, është marrë kryesisht mbështetur në të njëjtin ekzaminim mjekësor. Përcaktimi se ekzaminimi mjekësor nuk jep përgjigje për disa pyetje thelbësore, më konkretisht, nëse është ofruar trajtimi i duhur mjekësor dhe nëse kushtet e kërkuesit në spital kanë çuar në vdekjen e tij, gjykata nuk është e bindur me vendimin marrë nga Prokuroria e Tiranës për mosngritje të akuzave apo edhe për moshapjen formale të një hetimi penal; është në respektim të detyrimit procedural parashikuar në nenin 2 të Konventës.
51. Së treti, gjykata vëren se pavarësisht përpjekjeve të kërkuesit për ta kundërshtuar atë vendim, ankesat e tij u rrëzuan nga gjykatat vendëse (shih paragrafët 18–21 më sipër). Gjykata edhe një herë përsërit se i afërmi i viktimës duhet të përfshihet në procedurë deri në masën e nevojshme për të mbrojtur interesat e tij/saj legjitimë (shih Mustafayev kundër Azerbajxhanit, cituar më sipër, § 72). gjykata, në shumë raste, ka theksuar se përfshirja e të afërmit të shërben për të garantuar llogaridhënien publike të autoriteteve dhe kontrollin publik të veprimeve të tyre gjatë hetimit. E drejta e familjes së të ndjerit, vdekja e të cilit është nën hetim, për të marrë pjesë në procedime, kërkon që procedura e miratuar të garantojë mbrojtjen e nevojshme të interesit të tyre, i cili mund të jetë në konflikt të drejtpërdrejtë me interesin e policisë ose forcave të sigurisë të përfshirë në ngjarje (shih Anusca kundër Moldavisë, inr. 24034/07, § 44, 18 maj 2010). Pamundësia statutore në çështjen në fjalë, në mënyrë që kërkuesi të kundërshtojë në mënyrë efikase vendimin e prokurorit për mosfillimin e procedimeve penale, nuk është në linjë me detyrimin e shtetit për të kryer një hetim efektiv.
52. Në këtë mënyrë, gjykata rrëzon kundërshtimin paraprak të qeverisë. Mangësitë e përshkruara më sipër, e çojnë gjykatën në konkluzionin se autoritetet vendëse nuk kanë kryer një hetim të përshtatshëm dhe efikas në rrethanat që kanë të bëjnë me vdekjen e vëllait të kërkuesit. Për këtë arsye, ka pasur një shkelje të detyrimit procedural shtetëror, sipas nenit 2, për të mbrojtur të drejtën për të jetuar.
III. SHKELJE E PRETENDUAR E NENIT 3 TË KONVENTËS
53. Kërkuesi u ankua se teksa ishte i ndaluar, vëllai i tij i është nënshtruar një forme trajtimi e cila është në kundërshtim me nenin 3 të Konventës, i cili parashikon si më poshtë:
“Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës ose dënimeve, ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.”
54. Gjithashtu, kërkuesi pretendonte se ai e kishte gjetur vëllanë e tij në spital të lidhur me çarçafë, teksa ishte pa ndjenja dhe se shenjat në kyçet e duarve të vëllait të tij ngrinin dyshime serioze se ai kishte qenë i prangosur ndërsa ishte në spital. Gjithashtu, rezultati i ekzaminimit mjekoligjor, në të cilin tregohej një mungesë mjekimesh në gjak, ngrinte dyshime nëse ai kishte marrë kujdesin e duhur mjekësor. Në lidhje me këtë gjë nuk u bënë hetime të tjera, pavarësisht një nënvizimi në raportin e ekzaminimit mjekoligjor se çështja duhej të hetohej më tej.
55. Qeveria kundërshtoi parashtrimin e kërkuesit. Ajo argumentoi se dosja hetimore tregonte se ishin marrë në konsideratë të gjitha masat, nëse vëllai i kërkuesit i ishte nënshtruar një keqtrajtimi. Provat tregonin se ai ishte mbajtur nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore. Në lidhje me pretendimin e kërkuesit se vëllai i tij ishte prangosur, Qeveria parashtroi se një gjë e tillë nuk mbështetej në prova.
56. Gjykata ka konstatuar se autoritetet nuk kanë përcaktuar në mënyrë të prerë shkakun e vdekjes së SH.P. Gjithashtu, autoritetet nuk kanë dhënë një shpjegim të fortë në lidhje me dy të nxirat e gjetura në kyçet e duarve të SH.P. dhe se nuk ka asnjë tregues se policia e burgut ose personeli i spitalit janë marrë në pyetje në lidhje me këtë çështje. Deklaratat e kërkuesit për policinë, së bashku me gjetjet e raportit mjekoligjor për të nxirat e konstatuara në trupin e vëllait të tij, çojnë në pretendimin e diskutueshëm se vëllai i kërkuesit mund të ketë qenë subjekt i një trajtimi, i cili vjen në kundërshtim me nenin 3, gjatë kohës që ishte në spital, duke nënvizuar kështu detyrimin e autoriteteve për të hetuar çështjen (Bouyid kundër Belgjikës [DHM], nr. 23380/09, § 92, GJEDNJ 2015).
57. Gjykata përsërit se prangosja nuk ngre domosdoshmërisht një problematikë, sipas nenit 3 të Konventës, për aq kohë sa masa është ushtruar në lidhje me ndalimin e ligjshëm dhe nuk përbën përdorim të forcës apo ekspozim publik, i cili tejkalon atë çfarë konsiderohet në mënyrë të arsyeshme si e nevojshme. Në këtë aspekt, është e rëndësishme të merret në konsideratë, për shembull, nëse ka rrezik nëse personi në fjalë mund t’i fshihej drejtësisë ose të shkaktonte dëmtime ose dëme (shih Tarariyeva kundër Rusisë, nr. 4353/03, § 109, GJEDNJ 2006-XV (ekstrakte). Në çështjen në fjalë, raporti mjekoligjor thjesht përmendte ekzistencën e shenjave dhe faktin se ato ishin shkaktuar nga një objekt i mprehtë në trupin e vëllait të kërkuesit. Megjithatë, autoritetet nuk kanë bërë hetime të mëtejshme në lidhje me faktin nëse vëllai i kërkuesit i është nënshtruar ndonjë forme keqtrajtimi (shih paragrafin 17 më sipër). Për më tepër, në lidhje me këtë aspekt nuk u bënë hetime të mëtejshme. Në këtë mënyrë, gjykata konstaton se autoritetet vendëse nuk kanë marrë mjaftueshëm masa hetimore për të përcaktuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, nëse të nxirat në kyçet e duarve të vëllait të kërkuesit ishin shkaktuar nga trajtimi, i cili bie në kundërshtim me nenin 3 të Konventës. Në këto rrethana, gjykata e ka të pamundur të arrijë në përfundimin nëse ka pasur një shkelje të qartë të nenit 3.
58. Në analizën përfundimtare, gjykata merr në konsideratë se autoritetet nuk kanë mundur të kryejnë një hetim efikas për të përcaktuar nëse vëllai i kërkuesit ka qenë subjekt i keqtrajtimit teksa ishte i ndaluar. Në këtë mënyrë, në lidhje me këtë aspekt, ka pasur një shkelje të nenit 3 të Konventës, sipas aspektit të tij procedural.
IV. SHKELJE E PRETENDUAR E NENIT 13 TË KONVENTËS, NË LIDHJE ME NENET 2 DHE 3 TË KONVENTËS
59. Në vijim, kërkuesi u ankua se në sistemin vendës nuk ka asnjë mjet efikas për ankesat e tij në mbështetje të neneve 2 dhe 3 të Konventës. Ai mbështetet në nenin 13 të Konventës, i cili parashikon si më poshtë:
“Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.”
60. Kërkuesi pretendonte se edhe pse ai kishte paraqitur një ankesë ndaj vendimit të prokurorisë së Tiranës për mosfillimin e procedimit penal, Gjykata e Rrethit Tiranë e kishte kundërshtuar atë. Ai e kishte ndjekur rrugën deri në Gjykatën Kushtetuese, por pa asnjë rezultat. Ky është një tregues se mjetet që ai ka përdorur nuk kanë qenë efikase dhe se ai nuk ka pasur asnjë mjet tjetër të cilin sot ë mund ta kishte përdorur.
61. Qeveria e kundërshtoi këtë argument. Ajo pretendonte se kërkuesi kishte pasur mjete efikase në dispozicion të tij, por ai kishte zgjedhur të ndiqte rrugën e gabuar procedurale (shih paragrafët 19–21 më sipër).
62. Gjykata vëren se kjo ankesë ka të bëjë me të njëjtat problematika si ato të shqyrtuara në nenet 2 dhe 3 të Konventës. Për këtë arsye, ankesa duhet të deklarohet e pranueshme. Megjithatë, në lidhje me përfundimet e saj më sipër, sipas neneve 2 dhe 3 të Konventës, gjykata e konsideron si të panevojshme shqyrtimin e këtyre çështjeve më veçantë, sipas nenit 13 të Konventës.
V. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
63. Neni 41 i Konventës parashikon se:
“Kur gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmi
64. Kërkuesi pretendonte 30 000 euro (EUR) për dëmin jomonetar të vuajtur nga ai dhe vëllai i tij.
65. Qeveria parashtroi se pretendimet e kërkuesit nuk ishin të provuara, duke qenë se nuk kishte paraqitur ndonjë provë.
66. Gjykata përsërit se është konstatuar se autoritetet nuk kanë realizuar një hetim efikas, në kundërshtim me detyrimin procedural, sipas neneve 2 dhe 3 të Konventës. Në lidhje me konstatimin e shkeljeve dhe vlerësimin mbi baza të drejta, gjykata i kep kërkuesit 12 000 euro për dëmin jomonetar.
B. Kostot dhe shpenzimet
67. Kërkuesi, gjithashtu, pretendonte 10 000 euro për kostot dhe shpenzimet e bëra në gjykatat vendëse dhe për ato të përdorura përpara gjykatës. Kjo përfshinte një shumë për përfaqësimin e tij ligjor përpara Gjykatës Kushtetuese dhe përpara gjykatës me gjashtë përfaqësues ligjorë. Ai dorëzoi një faturë të përgjithshme dhe kontrata shërbimesh për përfaqësuesit ligjorë.
68. Qeveria parashtroi se këto pretendime ishin të tepruara dhe të pabazuara në fakte.
69. Gjykata konstaton se kërkuesi duhet të ketë pasur disa kosto dhe shpenzime gjatë procedimeve. Në këtë mënyrë, në çështjen në fjalë, duke pasur në konsideratë informacionin në dispozicion, gjykata e gjykon të arsyeshme t’i japë kërkuesit shumën prej 1450 eurosh për procedimet përpara gjykatës.
C. Interes i vonuar
70. Gjykata gjykon të përshtatshme se norma e interesit të vonuar duhet të mbështetet në normën margjinale të huadhënies së Bankës Qendrore Europiane, shumë së cilës i shtohen tre pikë përqindjeje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, NË MËNYRË ANONIME:
1. Vendos të bashkojë kundërshtimin paraprak në lidhje për mosshfrytëzim të mjeteve të brendshme, sipas cilësive dhe e pushon atë;
2. E deklaron kërkesën të pranueshme;
3. Vendos se është shkelur neni 2 i Konventës, në pjesën procedurale;
4. Vendos se nuk është shkelur neni 3 i Konventës, në pjesën thelbësore;
5. Vendos se është shkelur neni 3 i Konventës në pjesën procedurale;
6. Vendos se nuk është e nevojshme të shqyrtohet nëse është shkelur neni 13 i Konventës;
7. Vendos:
a) se shteti i paditur duhet t’i paguajë kërkuesit, brenda tre muajve nga data në të cilin vendimi bëhet i formës së prerë, në përputhje me nenin 44 § 2 të Konventës, shumat e mëposhtme:
i. 12 000 euro (dymbëdhjetë mijë euro) plus çdo taksë e cila mund të tarifohet, për dëmin jomonetar, shumë e cila duhet të konvertohet në monedhën e shtetit të paditur, në normën e zbatueshme në datën e shlyerjes;
ii. 1 450 euro (një mijë e katërqind e pesëdhjetë euro), plus çdo taksë, e cila mund të jetë e tarifueshme për kërkuesin, për kostot dhe shpenzimet;
b) se nga përfundimi i tre muajve të përmendur më sipër, deri në shlyerje, interesi i thjeshtë do të jetë i pagueshëm për shumat më sipër, në një normë të barabartë me normën margjinale të huadhënies së Bankës Qendrore Europiane, gjatë periudhës së vonesës, plus tre pikë përqindjeje.
8. Pushon pjesën tjetër të pretendimit të kërkuesit për kompensim të drejtë.
Hartuar në gjuhën angleze dhe njoftuar me shkrim në datën 11 qershor 2019, sipas rregullave 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së gjykatës.
Stanley Naismith
Sekretar
Robert Spano
Kyetar
Full & Egal Universal Law Academy