KËSHILLI I EUROPËS
GJYKATA EUROPIANE E TË DREJTAVE TË NJERIUT
SEKSIONI I KATËRT
ÇËSHTJA RAMADHI DHE TË TJERË KUNDËR SHQIPËRISË
(ANKIMI NR.38222/02)
VENDIM
STRASBURG
13 NËNTOR 2007
Në çështjen Ramadhi dhe të tjerë kundër Shqipërisë,
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (seksioni i katërt), me trup gjykues të përbërë prej:
z. J. CASADEVALL President
z. G. BONELLO
z. K. TRAJA
z. L.GARLICKI
znj. L.MIJOVIC
z. J.SIKUTA,
znj. P. HIRVELA,gjykatës,
dhe z. T.L.EARLY, regjistrues i seksionit,
pas shqyrtimit me dyer të mbyllura në datën 16 tetor 2007, merr në këtë datë vendimin e mëposhtëm:
PROCEDURA
1. Çështja ka filluar në bazë të ankimit (nr.38222/02) kundër Republikës së Shqipërisë drejtuar në Gjykatë, sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave te Njeriut dhe Lirive Themelore (“Konventa”) nga gjashtë shtetas shqiptarë, z. Shyqyri Ramadhi, z. Remzi Kapidani, znj. Rabije Ramadhi, znj. Xhemile Ramadhi, z. Dilaver Ramadhi dhe z. Nakib Ramadhi (ankuesit), më 9 tetor 2002. Më 1 korrik 2005, pas vdekjes së znj. Xhemile Ramadhi, vajza e saj, znj. Shpresa Idrizi e zëvendësoi në procedimet para Gjykatës.
2. Ankuesit, të cilëve iu sigurua ndihma ligjore, u përfaqësuan nga znj. O. Muçollari, avokate, që e ushtron aktivitetin e saj në Tiranë. Pala shqiptare u përfaqësua nga agjentët e saj, z. S. Puto dhe znj S. Mëneri, nga Ministria e Punëve të Jashtme.
3. Ankuesit pretenduan për shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës, nenit 13 dhe nenit 1 të protokollit nr. 1 të Konventës, për shkak se autoritetet shqiptare kishin neglizhuar në zbatimin e vendimeve të dhëna në bazë të Aktit të Pronësisë dhe ligjit të tokës. Gjithashtu, ankuesit pretenduan shkelje të nenit 14 të Konventës të marrë së bashku me nenin 1 të protokollit nr.1.
4. Më 19 maj 2005, Gjykata vendosi t’ia komunikonte ankimin palës shqiptare. Sipas dispozitave të nenit 29 § 3 të Konventës, ajo vendosi pranueshmërinë dhe shqyrtimin në themel të ankimit.
FAKTET
1.RRETHANAT E ÇËSHTJES
5. Ankuesit, të gjithë motra dhe vëllezër, kanë lindur përkatësisht në vitin 1921, 1916, 1927, 1928, 1934 dhe 1943 dhe jetojnë në Kavajë dhe Durrës, Shqipëri.
6. Gjatë regjimit komunist disa parcela toke dhe dy dyqane, pronë e babait të ankuesve u konfiskuan nga autoritetet shqipëtare pa u kompensuar në vlerë. Prona, me një sipërfaqe në total prej 46 000 m2 (toka) dhe 150 m2 (dyqani) (“prona përkatëse”), ndodhej në zonën e Kavajës.
A. Procedimet sipas Aktit të Pronësisë në lidhje me dyqanet dhe parcelën e tokës me sipërfaqe prej 15 500 m2
7. Në një datë të paspecifikuar, në bazë të ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”, (më poshtë referuar si Akti Pronësisë) ankuesit paraqitën një kërkesë në Komisionin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (“Komisioni”) duke kërkuar rikthimin e pronës së tyre.
8. Më 7 qershor 1995 dhe 20 shtator 1996, Komisioni përkatës i Kavajës ua njohu titullin e pronësisë ankuesve si bashkëpronarë të dy dyqaneve dhe të një parcele toke me një sipërfaqe prej 15 500 m2. Në pamundësi për t`u kthyer të gjithë pronën e tyre në tërësi, Komisioni vendosi që ankuesit të marrin në pronësi sipërfaqen prej 10 000 m2 të tokës, ndërsa për dy dyqanet dhe sipërfaqen prej 5 500 m2 ata do të kompensoheshin, sipas ligjit të Pronësisë. Gjithashtu, Komisioni vendosi të mos shqyrtonte kërkesën e ankuesve për sipërfaqen e tokës prej 30 500, pasi duke qenë tokë bujqësore, nuk ishte në juridiksionin e tij sipas Aktit të Pronësisë (Ligji nr.7501, datë 19 korrik 1991).
9. Në një datë të paspecifikuar, në përputhje me vendimin e Komisionit të Kavajës të datës 20 shtator 1996, ankuesit morën në pronësi parcelën e tokës me sipërfaqe prej 10,000 m2.
10. Pavarësisht kërkesave të ankuesve, deri tani, autoritetet shqiptare nuk kanë zbatuar vendimet e Komisionit të datës 7 qershor 1995 dhe 20 qershor 1996, përsa i përket kompensimit për dy dyqanet dhe parcelën e tokës me sipërfaqe prej 5 500 m2.
B. Procedimet sipas Aktit të Pronësisë në lidhje me parcelën e tokës me sipërfaqe prej 30 500 m2
1.Procedimet para Komisionit të Tokës
11. Në një datë të paspecifikuar, ankuesi paraqiti një kërkesë në komisionin vendor për ndarjen e tokës në komunë ose ndërmarrjen bujqësore të Kavajës (më poshtë referuar si “Komisioni i Tokës”), hallkë e bashkisë së Kavajës, duke pretenduar pronësinë e parcelës së tokës me sipërfaqe prej 30 500 m2.
12. Më 11 nëntor 1998, Komisioni i Tokës u njohu të drejtën e pronësisë ankuesve Sh. Ramadhi, R. Kapedani dhe R. Ramadhi (”tre ankuesve të parë“) dhe hodhi poshtë pretendimet e ankuesve Xh. Ramadhi, D.Ramadhi dhe N.Ramadhi (“tre ankuesit e fundit“) me arsyetimin se tre ankuesit e fundit nuk mund të pretendonin pronësinë e tokës bujqësore, përderisa ata nuk ishin banorë (rezidentë) të zonës ku ndodhej toka.
13. Tre ankuesit e parë regjistruan pronën e tyre në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Sipas certifikatës së pronësisë, numrat e titujve të ankuesve përkatësisht 462, 460 dhe 461, u korrespondonin parcelave të tokës së regjistruar në regjistër përkatësisht me numrat 89/15, 89/16 dhe 89/17.
14. Për më tepër, më 7 prill 1999, Komisioni i Tokës, në bazë të një kërkese të Ministrisë së Drejtësisë, deklaroi pavlefshmërinë e titujve të pronësisë së tre ankuesve të parë me arsyetimin që vendimi i datës 11 nëntor 1998 binte në kundërshtim me ligjin material.
2.Procedimet gjyqësore
15. Më 25 nëntor 1999 tre ankuesit e parë nisën procedimet në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës, duke pretenduar të drejtat e pronësisë mbi pronën përkatëse.
16. Më 4 shkurt 2000, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës prishi vendimin e datës 7 prill 1999 të Komisionit të Tokës dhe vendosi rishqyrtimin (de novo) nga ky Komision, të pretendimeve të tre ankuesve të parë lidhur me njohjen e pronësisë së tokës me sipërfaqe prej 30 500 m2. Më 6 mars të vitit 2000 vendimi mori formë të prerë.
3. Procedurat e ekzekutimit
17. Në një datë të paspecifikuar, Gjykata e Shkallës së parë Kavajë lëshoi urdhërekzekutimi për të ekzekutuar vendimin e datës 4 shkurt 2000.
18. Më 14 shkurt 2001, në bazë të dokumentit nr. 151/h, zyra e përmbarimit urdhëroi bashkinë e Kavajës të zbatonte vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, 4 shkurt 2000.
19. Më 7 maj 2001, me vendimin nr. 366, bashkia e Kavajës vendosi mungesën e juridiksionit lidhur me zbatimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, me arsyetimin se Komisioni i Tokës së Kavajës, nën jurdiksionin e të cilit ishte kjo çështje, ishte shpërbërë në përputhje me udhëzimin e kryetarit të Bashkisë të datës 8 nëntor 1999.
20. Më 8 janar 2003 në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, u krijua sërish Komisioni i Tokës së Kavajës, i cili konstatoi vlefshmërinë e titujve të pronësisë së tre ankuesve të parë, përkatësisht me numrat 462, 460 dhe 461.
21. Ankuesit pretendojnë se problemi i pronësisë mbetet ende i pazgjidhur, përderisa autoritetet vendore ua kanë transferuar parcelat e lartpërmendura personave të tretë, kështu që vendimi i Komisionit de facto ishte joefektiv. Në bazë të të dhënave të Regjistrit të Pasurive te Paluajtshme, parcelat e tokës të regjistruara përkatësisht me numrat 89/15 dhe 89/16 (korresponduese të titujve të ankuesve nr.462, 460) rezultojnë në pronësi të personave të tretë. Gjithashtu, përsa i përket parcelës së tretë të tokës, e cila i korrespondon titullit me nr.461, ankuesit pretendojnë se në këtë parcelë, persona të tretë kanë kryer ndërtime. Lidhur me këtë, Qeveria pretendoi se ankuesit nuk realizuan regjistrimin e pronës së tyre në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive te Paluajtshme për të marrë pronësinë e tokës në fjalë. Gjithashtu nuk bënë komentuan përsa pretenduan ankuesit në lidhje me transferimin e pronës personave të tretë.
II-LEGJISLACIONI I BRENDSHËM PËRKATËS
A. Kushtetuta
22. Lidhur me çështjen në fjalë, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parashikon si më poshtë:
Neni 41
1. E drejta e pronës private është e garantuar.
2. Prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil.
3. Ligji mund të parashikojë shpronësime ose kufizime në ushtrimin e së drejtës së pronës vetëm për interesa publikë.
4. Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë.
5. Për mosmarrëveshjet lidhur me masën e shpërblimit mund të bëhet ankim në gjykatë.
Neni 42
2. Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.
Neni 142
3. Organet e shtetit janë të detyruara të ekzekutojnë vendimet gjyqësore.
Neni 131
Gjykata Kushtetuese vendos për gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve për shkeljen e të drejtave të tyre kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e këtyre të drejtave.
Neni 181
1. Kuvendi, brenda dy deri tre vjetëve nga hyrja në fuqi e kësaj Kushtetute, nxjerr ligje për rregullimin e drejtë të çështjeve të ndryshme që lidhen me shpronësimet dhe konfiskimet e kryera para miratimit të kësaj Kushtetute, duke u udhëhequr nga kriteret e parashikuara në nenin 41 të Kushtetutës.
Nenit 41
2. Ligjet dhe aktet e tjera normative të miratuara para datës së hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute dhe që kanë të bëjnë me shpronësimet dhe konfiskimet, do të zbatohen kur nuk vijnë në kundërshtim me të.
B. Ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave ( Ligji nr.7698 i datës 15 prill 1993, amenduar me ligjet me nr.7736 dhe nr.7765 të vitit 1993, me Ligjet me nr. 7808 dhe nr.7879 të vitit 1994, me lLigjin nr.7916 të vitit 1995, me ligjin nr.8084 të vitit 1996 dhe shfuqizuar me ligjin nr.9235 të datës 29 korrik 2004 dhe së fundi amenduar me ligjin nr 9235 të vitit 2005 dhe ligjin nr. 9853 të vitit 2006)
23. Ligji për kthimin dhe kompensimin e pronës pësoi disa ndryshime gjatë katërmbëdhjetë viteve të shkuara. Ndryshimet themelore të ligjit të parë të pronës të vitit 1993 ndodhën si rezultat i dy ligjeve, të cilët hynë në fuqi respektivisht në vitin 2004 dhe në vitin 2006, referuar më poshtë respektivisht si:“Ligji i pronësisë i vitit 1993“, “Ligji i pronësisë i vitit 2004” dhe “Ligji i pronësisë i vitit 2006”. Dispozitat përkatëse të secilit prej këtyre ligjeve përmblidhen si më poshtë vijon:
1. Ligji i pronësisë i vitit 1993
24.Sipas ligjit të vitit 1993 ish-pronarëve të shpronësuar nga regjimi përkatës dhe trashëgimtarëve të tyre ligjorë iu njoh e drejta të pretendonin të drejtën e pronës për pronat e origjinës. Pas njohjes të së drejtës së pronës, ata kishin ose të drejtën e kthimit të saj në natyrë, ose të drejtën e kompensimit në natyrë (jo më shumë 10 000 m2) apo në vlerë, nëse plotësonin kushtet e mëposhtme: prona e pretenduar 1) të ishte në formën e kullotës, livadhit, tokës pyjore, apo tokës bujqësore dhe jobujqësore; 2) të ishte e patrajtuar nga ligji nr.7501, datë 19 korrik 1991; 3) të ishte në pronësi të shtetit; 4) dhe në rast se mund të tjetërsohej në truall duke u përfshirë brënda sipërfaqes së vijave të reja kufizuese ndërtimore të qendrave të banuara. Për ato prona të cilat nuk mund të ktheheshin në natyrë, neni 16 parashikonte mënyrat e mëposhtme te kompensimit: a) me obligacione shtetërore sipas vlerës ekuivalente të pronës, obligacione të cilat do të përdoreshin në versionin e parë për të siguruar aksione në ndërmarrjet shtetërore që po privatizoheshin ose në sipërmarrje të tilla si kredidhënie b) me sipërfaqe trojesh ekuivalente pranë qëndrave të banuara në përputhje me planet rregulluese të përgjithshme dhe c) me sipërfaqe ekuivalente në zonat turistike, në përputhje me planet rregulluese të përgjithshme. Këshilli i Ministrave përcaktonte rregullat më të hollësishme për mënyrat dhe afatet e kryerjes se këtyre kompensimeve. Gjithashtu, ligji i vitit 1993 parashikonte krijimin e Komisionit të Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave si organi administrativ kompetent për të vendosur mbi pretendimet për kthimin dhe kompensimin e pronave.
25. Për më tepër, ligji i 1993 parashikonte që Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të ishte struktura administrative kompetente për trajtimin e pretendimeve të ish-pronarëve, lidhur me kthimin dhe kompensimin. Por ky ligj, nuk parashikonte një afat brenda të cilit vendimet mund të apeloheshin, duke sjellë si pasojë, moszbatimin e tyre në praktikë.
2. Ligji i pronësisë i vitit 2004
26. Ligji i pronave i dekretuar në vitin 2004 shfuqizoi ligjin e mëparshëm dhe parashikoi dy forma të kthimit të pronës, kthimin në natyrë të pronës, nëse plotësoheshin disa kushte dhe kompensimin, në rast të pamundësisë nga ana e autoriteteve për të kthyer në natyrë pronën. Ligji nuk parashikonte kufizime për sipërfaqen e pronës që do të kthehej në natyrë. Ligji parashikonte pesë forma kompensimi: a) me një pronë të të njëjtit lloj, b) me një pronë të një lloji tjetër; c) me aksione në kompanitë shtetërore; d) me vlerën e një prone shtetërore në proces privatizimi; e) me një shumë parash, të cilat i korrespondonin vlerës së pronës në kohën e dhënies së vendimit (neni 11). Ligji krijoi Komitetin Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, të përbërë prej pesë anëtarësh të zgjedhur nga Parlamenti. Roli i tij ishte të vendoste lidhur me ligjshmërinë e vendimeve të dhëna mbi pretendimet e kthimit dhe kompensimit të pronave të komisioneve lokale (neni 15 dhe 17). Këshilli i Ministrave duhej të përcaktonte rregulla dhe kritere më të hollësishme në zbatim të këtij ligji (neni 13).
27. Neni 19 parashikonte për vendimet të cilat caktonin kompensim, ekzekutimin e tyre brenda 6 muajve nga fillimi i çdo viti financiar. Me hyrjen në fuqi të ligjit, çdo person që pretendonte kthimin apo kompensimin e pronës së tij duhej t’i drejtohej me anë të një kërkese komisionit lokal deri më datë 31 dhjetor 2007. Ligji i dha juridiksion komisionit për të vendosur në lidhje me formën e kompensimit, megjithëse çdo person në kërkesën e tij mund të përcaktonte preferencën e vet për mënyrën e kompensimit. Vendimet e komisionit lokal mund të apeloheshin para Komitetit Shtetëror (neni 20) dhe më pas para gjykatave të shkallës së parë brenda 30 ditëve nga dhënia e vendimit të Komitetit Shtetëror.
28. Më 28 prill 2005 Parlamenti miratoi një ligj i cili parashikonte mënyrat e vlerësimit të pronës së paluajtshme, që do të kompensohej. Zbatimi i tij iu la Komitetit Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, i cili do të hartonte hartat për vlerësimin e pronave.
29. Për zbatimin e vendimeve të Komitetit kur caktonte kompensim në para, neni 23 i ligjit të vitit 2004 parashikonte krijimin e një Fondi për Kompensimin e Pronës për një periudhë 10-vjeçare, qëllimi i të cilit ishte sigurimi i mjeteve financiare për kompensime të tilla. Ligji i vitit 2004 u shqyrtua si nga Gjykata Kushtetuese, ashtu edhe nga Gjykata e Lartë. Më 24 mars 2005, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë konstatuan se ligji i pronësisë i vitit 2004 nuk kishte efekt prapaveprues dhe se në këtë mënyrë dispozitat e tij nuk mund të kishin ndikim mbi të drejtat e pronësisë, të njohura nga vendimet administrative ose gjyqësore, të dhëna para hyrjes së tij në fuqi.
3. Ligji i pronësisë i vitit 2006
30. Më 17 korrik 2006, ligji i pronësisë i vitit 2004 u ndryshua nëpërmjet ligjit të pronësisë së vitit 2006 i cili hyri në fuqi më 17 gusht 2006. Ky ligj parashikonte, ndër të tjera, krijimin e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, një organ i ri kompetent për të vendosur në lidhje me pretendimet për kthimin dhe kompensimin e pronave (neni 15). Ligji i ri shfuqizoi nenet 11§2; 19 dhe 20 të ligjit të mëparshëm, i cili, ndër të tjera, përcaktonte procedurën për zbatimin e vendimeve që parashikonin kompensim.
E DREJTA
I.SHKELJET E PRETENDUARA TË NENIT 6.1 DHE NENIT 13 TË KONVENTËS
31.Kërkuesit ankohen lidhur me mosekzekutimin nga autoritetet shtetërore të tre vendimeve të formës së prerë të dhëna në favor të tyre. Për më tepër, ata pretenduan mungesën e mjeteve efektive për të mundësuar ekzekutimin e vendimeve të komisionit, që u jepnin atyre të drejtën e kompensimit.
Ata bazoheshin në nenin 6.1 të Konventës, i cili në lidhje me këtë çështje parashikon:
Në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të tij civile......çdokush ka të drejtën e një procesi të rregullt brenda një kohe të arsyeshme nga një gjykatë....”
Ata gjithashtu i referoheshin nenin 13 të Konventës, i cili parashikon si më poshtë:
“Çdo person të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e njohura në këtë Konventë, ka të drejtë të paraqesë një ankim efektiv përpara një instance kombëtare edhe kur kjo shkelje ka qenë kryer nga persona që veprojnë brenda ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare”.
A.Ekzekutimi i vendimeve të Komisionit, për pagesën e kompensimit lidhur me dyqanet me sipërfaqje 150 m2 dhe parcelës së tokës me sipërfaqje 5500 m2.
1. Pranueshmëria
a) Parashtrimet e palëve
32.Ankuesit pretendojnë që nëpërmjet vendimit të 7 qershorit 1995 dhe 20 shtatorit 1996, kompensimi i njohur atyre nuk u pagua për një periudhë kohe të tejzgjatur.
33.Qeveria e kundërshtoi këtë argument duke parashtruar se garancitë e parashikuara në nenin 6 nuk ishin të zbatueshme për ekzekutimin e vendimeve, të cilat sipas legjislacionit të brendshëm nuk ishin përfundimtare dhe të detyrueshme, siç ishte dhe rasti i vendimeve të Komisionit.
Si rrjedhojë, ankesa duhet konsideruar e papranueshme dhe në mospërputhje me ratione materiae.
Më tej Qeveria parashtroi se në rast se gjykata do ta gjente nenin 6 të zbatueshëm, lidhur me sa më sipër, ankesa duhej të konsiderohej si e papranueshme, duke qenë se ankuesit nuk kanë shterruar mjetet e brendshme të ankimit, të parashikuara nga Akti i Pronësisë I 2004, për të kërkuar rivendosjen e së drejtës, së cenuar nga mospagimi i kompensimit për pronën e tyre.
34.Ankuesit kundërshtuan pikëpamjet e Qeverisë, duke parashtruar se legjislacioni i brendshëm parashikonte se vendimet e komisionit, ashtu sikurse vendimet e gjykatës së rrethit, gjeneronin tituj pronësie të detyrueshëm. Më tej parashtruan ankuesit, për mëse 12 vjet këto vendime nuk janë kundërshtuar para gjykatave, pra ato ishin qartësisht përfundimtare. Gjithashtu, Gjykatat vendase kishin përcaktuar që Akti Pronësisë i 2004 nuk kishte fuqi prapavepruese.
Për më tepër, ata ishin të kënaqur nga themeli i vendimeve të Komisionit dhe mjetet e përmendura nga Qeveria ishin të papërshtatshme për t’u ofruar atyre rivendosjen e së drejtës, duke qenë se ato ofronin thjesht një mundësi ankimi kundër vendimeve të Komisionit dhe jo një mjet efektiv për të mundësuar zbatimin e tyre.
b)Vlerësimi i Gjykatës
i ) Aplikimi i nenit 6&1
35.Gjykata rithekson se neni 6&1, në fushën civile të tij, aplikohet vetëm kur ekziston një mosmarrëveshje mbi një të “drejtë”, që konsiderohet, të paktën, mbi baza të vërtetueshme, si e njohur në të drejtën e brendshme. Kjo e drejtë duhet të jetë e vërtetë dhe serioze. Ajo mund të mos jetë e lidhur vetëm me ekzistencën aktuale të një të drejte, por dhe me qëllimin dhe mënyrën e ushtrimit të saj.
Për më tepër, rezultati i procedimeve duhet të jetë drejtpërdrejt vendimtar për të drejtën civile në fjalë (shih ndër të tjera Frydlender k.Francës, nr.30979/96,& 27, ECHR 2000-VII).
36.Gjykata vëren që në rastin konkret, nuk është kundërshtuar ekzistenca e një mosmarrëveshjeje mbi një të drejtë të njohur nga legjislacioni vendas, apo që mosmarrëveshja ishte e vërtetë dhe serioze ose që rezultati i procedimeve ishte drejtpërdrejt vendimtar për të drejtën në fjalë. Gjykata, më tej vëren se mosmarrëveshja lidhur me këtë të drejtë, e cila për nga natyra është një e drejtë civile, është një mosmarrëveshjeje ndërmjet shtetit dhe ankuesit, për të përcaktuar të drejtën e tij të pronësisë. Nëpërmjet, vendimeve të Komisionit kompetent për çështjen në fjalë, shteti u njohu të drejtën e kompensimit ankuesve. Pavarësisht se legjislacioni i brendshëm nuk përcaktonte kohën se kur këto vendime do të bëheshin përfundimtare (do të merrnin formë të prerë), Gjykata vëren se për më shumë se 12 vjet, themeli i këtyre vendimeve nuk u kundërshtua para ndonjë gjykate dhe ligjërisht, asgjë nuk pengonte ekzekutimin e tyre të menjëhershëm. Si pasojë, Gjykata i konsideron të drejtat që burojnë prej këtyre vendime si të formës së prerë dhe të ekzekutueshme. Përveç kësaj, të drejtat që buronin prej këtyre vendimeve dhe procedurat vijuese të ekzekutimit ishin të lidhura ngushtësisht me njëri-tjetrin (efikasiteti i të parit varet në fund të fundit nga suksesi i të fundit).
37. Gjykata në këtë mënyrë vlerëson që procedimet përpara Komisionit të përshkruara më sipër bien në fushën e zbatimit të nenit 6&1 të Konventës dhe hedh poshtë kundështimet e Qeverisë.
ii) Shterrimi i mjeteve të brendshme të vëna në dispozicion nga Akti i Pronësisë 2004.
38. Gjykata përsërit se rregulli i shterrimit të mjeteve të brendshme, i parashikuar në nenin 35&1 të Konventës detyron ankuesit të përdorin mjetet e brendshme që janë zakonisht në dispozicion dhe të mjaftueshme në sistemin e brendshëm ligjor për të mundësuar rivendosjen e së drejtës që pretendohet se është shkelur. Ekzistenca e këtyre mjeteve duhet të jetë e sigurt, si në praktikë edhe teori. Nëse këto kritere nuk përmbushen, këto mjete e humbasin disponueshmërinë (aksesibilitetin) dhe efektivitetin e tyre. Përgjegjësia për të provuar përmbushjen e këtyre kritereve, bie mbi shtetin ndaj të cilit është ngritur pretendimi(shih Vernillo v. France, vendimi i 20 shkurtit 1991, Series A no. 198, pp. 11-12, § 27; Aksoy v. Turkey, no. 21987/93, §§ 51-52, Reports of Judgments and Decisions 1996-VI; and Akdivar dhe të Tjerë v. Turkey, nr. 21893/93, §§ 65-67, Reports 1996-IV).
39. Gjykata vëren se i njëjti argumentim i ngritur nga Qeveria në çështjen Beshiri dhe të tjerë u rrëzua, duke qenë se Qeveria nuk ishte në gjendje të provonte efektivitetin e mjeteve të parashikuara nga Akti i Pronësisë 2004 (shih Beshiri dhe të tjerë të përmendur më sipër, 54-55).
40. Megjithatë, Gjykata vëren se rasti konkret ndryshon nga Beshiri dhe të tjerë, duke qenë se ky i fundit kishte të bënte me ekzekutimin e një vendimi gjyqësor që njihte të drejtën e kompensimit, bazuar në Kodin e Procedurës Civile dhe jo në Aktin e Pronësisë.
41. Gjykata vlerëson që çështja e efektivitetit të procedurave të ekzekutimit është parësore përsa i përket themelit të pretendimeve të ankuesit për këtë pjesë. Ajo konsideron se të dyja çështjet duhet të ekzaminohen së bashku me themelin e çështjes.
iii) Pranueshmëria e ankesës për nenin 6&1 dhe nenin 13 të Konventës
42. Gjykata konstaton se ankesat në kuadër të këtyre neneve nuk janë haptazi të pabazuara në kuptimin e nenit 35&3 të Konventës. Ajo më tej konstaton se nuk ka bazë për mospranueshmërinë e tyre duke i konsideruar ato si të pranueshme.
2. Themeli
a)Parashtrimet e palëve
43.Në opinionin e ankuesit, paaftësia e autoriteteve për të përcaktuar procedurat për të mundësuar ekzekutimin e vendimeve të komisionit ka cenuar të drejtën e tij për të pasur akses në gjykatë, siç parashikohet në nenin 6 dhe ka çuar gjithashtu në shkelje të nenit 13 të Konventës.
44.Qeveria kundërshtoi këtë qëndrim, duke parashtruar se mjetet e brendshme të parashikuara nga Akti i Pronësisë 2004 ishin efektive. Ato kishin qëllim për të gjetur zgjidhje përsa i përket rikthimit të pronës dhe dhënies së kompensimit, në përputhje me normat ligjore në fuqi.
b) Vlerësimi i Gjykatës
45. Gjykata rithekson se neni 6.1 i siguron kujtdo të drejtën për t’iu drejtuar një gjykate për çdo lloj pretendimi lidhur me të drejtat dhe detyrimet e tij civile; në këtë mënyrë ky nen mishëron “të drejtën për gjykim”, në të cilin aksesi në gjykatë përbën vetëm një aspekt (shih Golder v. the UK, vendimi 21 shkurt 1975, Series A nr. 18, pp. 13-18, §§ 28-36; dhe Osman v. the United Kingdom, vendim 28 tetor 1998, Reports 1998-VIII, p. 3166, § 136, and p. 3169, § 147).
46. Ndërsa, është e qartë që në rastin konkret ankuesit nuk u penguan për të filluar procedimet për njohjen e të drejtave të tyre të pronësisë sipas Aktit të Pronësisë, kjo nuk ështe e mjaftueshme, duke qenë se e drejta e aksesit në gjykatë përfshin jo vetëm të drejtën për të filluar një proces, por dhe të drejtën për të siguruar një zgjidhje të mosmarrëveshjes nga një gjykatë. (shih, mutatis mutandis, Kutić v. Croatia, no. 48778/99, § 25, ECHR 2002-II; Lungoci v. Romania, no. 62710/00, § 35, 26 January 2006; dhe Yanakiev v. Bulgaria, no. 40476/98, § 68, 10 August 2006).
Për më tepër, përcaktimi i të drejtave civile, korrespondon me kohën kur e drejta e njohur bëhet realisht efektive (shih Di Pede v. Italy vendim i 26 September 1996, Reports 1996‑IV, p. 1384, §§ 22–24, and Zappia v. Italy, vendimi i 26 September 1996, Reports 1996‑IV, p. 1411, §§ 18–20), pavarësisht nga forma e autoritetit për ta ekzekutuar atë (see Estima Jorge v. Portugal, judgment of 21 April 1998, Reports 1998‑II, pp. 772–73, §§ 37–38).
47. Megjithatë, thelbi i pretendimeve të ankuesve në kuadër të nenit 6 ka të bëjë me mosekzistencën e mjeteve për të adresuar mosekzekutimin e vendimeve të komisionit që u njihnin të drejtën e kompensimit, bazuar në Aktin e Pronësisë, aspekt për të cilin Gjykata është e mendimit se është më e përshtatshme të shqyrtohet në kuadër të nenit 13.
48. Përsa i përket pajtueshmërisë së autoriteteve shtetërore me detyrimin e përgjithshëm të nenit 13 për të siguruar mjete efektive, lidhur me të drejtat e pavarura të garantuara nga Konventa, Gjykata sjell në vëmendje parimet e mëposhtme:
Neni 13 garanton disponeshmërinë në nivel kombëtar të mjeteve që mundësojnë zbatimin e thelbit (substance) të të drejtave dhe lirive të Konventës në çdo formë që ato mund të ndodhë të kërkojnë mbrojtje nga sistemi i brendshëm ligjor i një vendi. Efekti i këtij neni është pra të kërkojë parashikimin e një mjeti të brendshëm, i cili lejon autoritetin kombëtar kompetent, për të përcaktuar njëkohësisht si thelbin e ankimit për shkeljen respektive të Konventës, ashtu dhe sigurimin e një mjeti të përshtatshëm ankimues për të mundësuar rivendosjen e së drejtës, dhe pse palët kontraktuese i lejojnë vetes një lloj diskrecioni, përsa i përket mënyrës me anë të së cilës ato sigurojnë pajtueshmërinë me detyrimet në kuadër të këtij neni (shiko Chahal v Mbretërisë së Bashkuar, vendimi 15 Nëntorit 1996, Reports 1996-V, pp. 1869-70, § 145)
Qëllimi i detyrimit në kuadër të nenit 13 varion në varësi të natyrës së pretendimit të ankuesit (idem fq1870-71 §§ 150 -151). Sidoqoftë, mjeti i kërkuar në kuadër të nenit 13 duhet të jetë “efektiv” si në praktikë ashtu dhe në kuptimin ligjor, veçanërisht në kuptimin që ushtrimi i tij të mos pengohet në mënyrë të pajustifikueshme nga veprimet ose mosveprimet e autoriteteve të shtetit respektiv (shih midis të tjerash Aksoy v. Turkey, vendimi 18 dhjetorit 1996, Reports 1996-VI, fq. 2286, § 95 dhe Cobzaru v. Rumanisë, nr. 48254/99, § 80, 26 korrik 2007)”.
49. Gjykata, vëren se, pavarësisht nëse vendimi përfundimtar për t’u ekzekutuar merr formën e një vendimi gjykate ose vendimi të një autoriteti administrativ, legjislacioni i brendshëm dhe Konventa parashikojnë që ai duhet të ekzekutohet. Asnjë masë nuk është ndërmarrë për të ekzekutuar vendimet e Komisionit në favor të ankuesve.
50. Gjykata vëren se asnjë nga Aktet e Pronësisë, apo ndonjë dispozitë tjetër në legjislacionin e brendshëm përkatës, nuk rregullon ekzekutimin e vendimeve të Komisionit. Veçanërisht, Akti i Pronësisë nuk parashikon as ndonjë afat ligjor për ankimimin e vendimeve të Komisionit para gjykatave të brendshme, as ndonjë mjet specifik për ekzekutimin e tyre. Gjykata më tej vëren se Akti i Pronësisë i njeh të drejtën e përcaktimit të formës dhe mënyrës së përshtatshme të kompensimit Këshillit të Ministrave, i cili përcakton rregullat e detajuara dhe metodat për këtë kompensim. Deri tani, asnjë masë e tillë nuk është miratuar (siç përshkruhet në pjesën e mësipërme “Legjislacioni i brendshëm përkatës” ) dhe Qeveria nuk ka dhënë asnjë shpjegim për këtë.
51. Fakti, që autoritetet janë të angazhuara, siç pohon Qeveria, për rikthimin e pronave dhe pagesën e kompensimit të përshtatshëm, kjo nuk ka çuar në ekzekutimin e vendimeve në favor të ankuesve, të paekzekutuar deri më tani përkatësisht prej 12 dhe 11 viteve. Për më tepër, Qeveria nuk ka paraqitur ndonjë provë për marrjen e ndonjë mase të menjëhershme.
52. Vlerësimet e mësipërme janë të mjaftueshme për t’i mundësuar Gjykatës të konkludojë që duke mos ndërmarrë masat e nevojshme për të siguruar mjetet për ekzekutimin e vendimeve të komisionit, ankuesit u privuan nga e drejta e tyre për një mjet të brendshëm efekiv, i cili do t’u mundësonte sigurimin e zbatimit të së drejtës së tyre civile për kompensim. Për këto arsye, Gjykata hedh poshtë kundërshtimet e Qeverisë.
B. Ekzekutimi i vendimit të gjykatës së rrethit për parcelën e tokës, me sipërfaqe 30 500 m2.
1. Pranueshmëria.
a) Parashtrimet e palëve
54. Ankuesit pretendojnë për shkelje të nenit 6&1 duke qenë se autoritetet shtetërore nuk kanë qenë në gjendje për të siguruar ekzekutimin në praktikë të vendimit të gjykatës së rrethit të Kavajës, të 4 shkurtit 2000 që vendosi nxjerrjen e një vendimi mbi të drejtat e tyre të pronësisë.(shih paragrafin 16 më sipër).
55. Qeveria kundërshtoi argumentet e ankuesve, duke parashtruar se vendimi i Gjykatës së Rrethit Kavajës i 4 shkurtit 2000 është ekzekutuar në 8 janar 2003, kur komisioni i tokës nxori një vendim lidhur me titullin e tyre përkatës të pronësisë. Për më tepër, Qeveria parashtroi se ankuesve u mungonte statusi i viktimës, duke qenë se ata nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme administrative për të regjistruar të dhënat e titujve të tyre në regjistrin e pasurive të paluajtshme dhe në këtë mënyrë nuk mund të pretendojnë zotërimin e pronës. Sipas, Qeverisë, ankuesit gjithashtu nuk kanë qenë në gjendje të provojnë që pronat e akorduara ndaj tyre u janë shitur personave të tretë dhe nëse është kështu ata nuk e kanë paraqitur këtë çështje para gjykatave të brendshme.
b) Vlerësimi i Gjykatës
56. Gjykata vëren se pretendimet e ankuesve në këtë drejtim kanë të bëjnë me mosekzekutimin e vendimit të gjykatës së rrethit të 4 shkurtit 2000. Duke qenë se vetëm tre ankuesit e parë kanë qenë palë në këtë proces, Gjykata vlerëson që tre ankuesit e fundit nuk kanë provuar që ata mund të pretendojnë të jenë “viktima” për mosekzekutimin e vendimit të sipërpërmenur.
57. Për më tepër, Gjykata konstaton se kundërshtimet e Qeverisë lidhur me statusin e “viktimës” së tre ankuesve të parë ka të bëjë me themelin e ankimit të tyre dhe këto çështje duhet të shqyrtohen së bashku me themelin.
58. Nga kjo rrjedh, që pretendimi i tre ankuesve të fundit është i papajtueshëm ratione personae me parashikimet e Konventës në kuptimin e nenit 35&3, dhe për këtë arsye e papranueshme sipas nenit 35&4 të Konventës. Pretendimi i tre ankuesve të parë nuk është haptazi i pabazuar në kuptimin e nenit 35&3 të Konventës. Më tej ajo konstaton se nuk ka arsye për të mos e konsideruar si të papajtueshme, kështu ajo duhet të deklarohet e pranueshme.
2.Themeli
a) Parashtrimet e palëve
59. Tre ankuesit e parë parashtruan se për më tepër se 7 vjet, vendimi i Gjykatës së rrethit i 4 shkurtit 2000 nuk është ekzekutuar.
60. Qeveria argumentoi se autoritetet nuk mund të ishin përgjegjëse për mosekzekutimin e vendimit të sipërpërmendur duke qenë se ekzekutimi i tij varej nga marrja e masave të nevojshme nga ankuesit, konkretisht duke kërkuar regjistrimin e të dhënave të titujve të tyre të pronësisë në regjistrin e tokës.
b) Vlerësimi i Gjykatës
61.Parimet e përgjithshme lidhur me mosekzekutimin e vendimeve të formës së prerë janë përcaktuar në vendimin Beshiri dhe të tjerë (përmendur më sipër paragrafi 60).
62. Gjykata vëren se në 4 shkurt 2000 Gjykata e rrethit vendosi nxjerrjen e një vendimi të ri për pretendimet lidhur me të drejtën e pronësisë së tre ankuesve të parë. Në 8 janar 2003, pas 2 vitesh mosveprimi, Komisioni i tokës la në fuqi titujt e pronësisë për tre parcelat e tokës (shih paragrafin 14 më sipër), që nga ajo kohë toka u vu në zotërim të personave të tretë. Ky argument mbështetet dhe nga evidencat e regjistrit të tokës, të paraqitura nga ankuesit. Qeveria nuk ka dhënë komente lidhur me këto evidenca dhe nuk paraqiti asnjë informacion që të provonte të kundërtën.
63. Duke konstatuar se shteti nuk ka arritur të provojë efektivitetin e mjeteve juridike përkatëse(shih paragrafin 55 më sipër) dhe duke vërejtur që të drejtat e tre ankuesve të parë duket se janë shumë larg nga realizimi i tyre, gjykata konstaton se autoritetet shtetërore nuk kanë qenë në gjendje të ekzekutojnë vendimin e gjykatës së rrethit të 4 shkurtit 2000. Ajo kështu hedh poshtë kundërshtimet e Qeverisë (paragrafi 57 më sipër).
64. Për këto arsye, ka pasur shkelje të nenit 6 §1 të Konventës, përsa i përket tre ankuesve të parë.
II.SHKELJET E PRETENDUARA TË NENIT 1 TË PROTOKOLLIT 1 TË KONVENTËS
65. Ankuesit pretendojnë për një shkelje të të drejtave të tyre të pronësisë për pronën përkatëse. Ata bazohen në nenin 1 të protokollit 1 të Konevntës i cili parashikon:
“Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën që t’i respektohet pasuria e tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Megjithatë dispoziat e mëparshme nuk cenojnë të drejtën e shteteve për të nxjerrë ligje, që ato i gjykojnë të domosdoshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm ose për të siguruar pagimin e taksave ose të kontributeve të tjera ose të gjobave.”
66.Qeveria e kundërshtoi këtë argument.
A. Pranueshmëria.
67. Gjykata rithekson se “pasuritë” mund të jenë “pasuri ekzistuese” ose “asete”, përfshirë në disa raste të përcaktuara qartë, edhe pretendimet. Në mënyrë që një pretendim të konsiderohet “aset” në përputhje me nenin 1 të protokollit nr.1, duhet që pretenduesi të provojë se në legjislacionin vendas ekziston një bazë e mjaftueshme, si për shembull ekzistenca e një praktike të konsoliduar të gjykatave vendase në mbështetje të këtij pretendimi ose kur ekziston nje vendim gjyqësor i formës së prerë në favor të pretendimeve të ankuesit. Kur kjo arrihet të provohet, hyn në veprim koncepti i “pritshmërisë së ligjshme” ( shiko Dragon v. France [GC], nr. 1513/03, § 68, 6 tetor 2005, ECHR 2005-IX).
68. Gjykata vëren se ankesa është e lidhur me pretendimet e trajtuara në kuadrin e nenit 6 § 1, përsa i përket mosekzekutimit nga ana e autoriteteve shtetërore të vendimeve të dhëna në favor të ankuesve.
69. Duke qenë se gjykata i ka deklaruar të papranueshme pretendimet e tre ankuesve të fundit, përsa i përket mosekzekutimit të vendimit të 4 shkurtit 2000, këta ankues nuk kanë pasur një “pritshmëri të ligjshme”, të bazuar as në dispozitat e ligjit të tokës, as në vendimet e dhëna përsa i përket pretendimit të tyre për kthimin e parcelës së tokës me sipërfaqe 30.500 m2. Rrjedhimisht, pretendimet e tre ankuesve të fundit lidhur me vendimin e 4 shkurtit janë të papajtueshme ratione materiae me parashikimet e Konventës, në kuptimin të nenit 35§3 dhe duhet të hidhen poshtë në përputhje me nenin 35§4.
70. Megjithatë, pretendimet e tre ankuesve të parë në kuadër të nenit 1 të protokollit nr.1, përsa i përket mosekzekutimit të vendimit të 4 shkurtit 2000 dhe të gjitha pretendimet e ankuesve përsa i përket mosekzekutimit të vendimeve të Komisionit të 1995 dhe 1996 nuk janë haptazi të pabazuara, në kuptimin e nenit 35§3 të Konventës.
71. Në këtë kuadër, Gjykata vëren se duke qenë se pronat përkatëse të ankuesve ishin shtetëzuar, bazuar në Aktin e Pronësisë, ligjin e tokës dhe vendimet e dhëna në favor të tyre, ata kanë një pretendim për kompensim në natyrë dhe vlerë monetare, i cili është i përcaktuar qartë në legjislacionin e brendshëm. Në kohën e vendimeve të 7 qershorit 1995 dhe 20 shtatorit 1996, ankuesve iu njoh e drejta e kompensimit financiar, në përputhje me Aktin e Pronësisë, dhe që në momentin e vendimit gjyqësor të 4 shkurtit 2000, tre ankuesve të parë iu njoh e drejta e kthimit të pronës së origjinës, në përputhje me ligjin e tokës. Në këto rrethana, gjykata vlerëson se pretendimet e ankuesve janë mjaftueshmërisht të bazuara për t’u cilësuar si “aset’, për qëllimet e nenit 1 të protokollit 1. Gjykata më tej vëren se pretendimet e tyre nuk janë të papranueshme mbi ndonjë bazë tjetër dhe për këtë arsye duhet të deklarohen të pranueshme.
B. Themeli
1.Parashtrimet e palëve
72. Pala shqiptare kundërshtoi aplikimin e garancive të këtij neni, për vendimet e Komisionit dhe vendimin e gjykatës në çështjen konkrete, duke qenë se ankuesit duhet ta kishin ngritur këtë problem, përpara autoriteteve kompetente, në përputhje me Aktin e Pronësisë 2004. Qeveria pretendoi se mosekzekutimi i vendimeve të Komisionit, që u njihte kompensimin ankuesve, kishte ardhur si pasojë e rrethanave objektive, si mungesa e fondeve dhe interesi i përgjithshëm i komunitetit.
73. Lidhur me parcelën e tokës 30 500 m2, pala shtetërore parashtroi se shteti nuk mund të konsiderohet përgjegjës për moskryerjen e veprimeve të nevojshme nga ana e ankuesit në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme e ankuesit për të marrë në zotërim pronën që u ishte caktuar atyre. Në parashtrimet e palës shqiptare, kjo do të kishte qenë e vetmja mënyrë për të përfituar nga mbrojtja e Konventës dhe do t’i mundësonte ankuesve të drejtën për të pretenduar cenimin e së drejtës së pronësisë në kuadrin e nenit 1 të protokollit 1.
74.Ankuesit kundërshtuan argumentet e Qeverisë, duke pretenduar se ato ishin të pabazuara. Ata parashtruan se të drejtat e tyre të pronësisë ishin ende të parealizuara pas një periudhe kohe shumë të gjatë.
2. Vlerësimi i Gjykatës
75. Gjykata rikujton se neni 1 i protokollit 1 përfshin tre rregulla të veçanta: rregulli i parë, i përcaktuar në fjalinë e parë të paragrafit të parë, është i një natyre të përgjithshme dhe shpreh parimin e gëzimit të qetë të pronës; rregulli i dytë i përcaktuar në fjalinë e dytë të paragrafit të parë, mbulon privimin e posedimit dhe e kufizon atë, vetëm në disa rrethana të caktuara; rregulli i tretë, i vendosur në paragrafin e dytë, parashikon që shtetet palë në Konventë, përveç të tjerash duhet të kontrollojnë përdorimin e pronës, në përputhje me interesin e përgjithshëm (shih ndër të tjera, Pressos Compania Naviera S.A. and Others v. Belgium, vendim i 20 nëntorit 1995, Series A no. 332, § 33, dhe Draon, përmendur më sipër, § 69).
76. Në rastin konkret, Gjykata vëren se ndërhyrja në të drejtën e ankuesve për gëzimin e posedimeve të tyre, rrjedh nga zvarritja e realizimit të pagesës së kompensimin financiar, i cili ishte parashikuar nga vendimet e komisionit dhe për t’u rikthyer tre ankuesve të parë pronën për të cilën atyre u ishte njohur e drejta e pronësisë nga komisioni i tokës.
77. Gjykata vëren se në jurisprudencën e saj, ajo ka shqyrtuar mosekzekutimin e një vendimi që njeh një titull pronësie, në kuadrin e fjalisë së parë të nenit 1 protokollit 1 (shiko Burdov v. Russia, nr. 59498/00, § 40, ECHR 2002-III, Jasiūnienė v. Lithuania, nr. 41510/98, § 45, 6 Mars 2003; Sabin Popescu v. Romania, nr. 48102/99, § 80, 2 Mars 2004; dhe Beshiri dhe të Tjerë, i cituar më sipër § 99). Rrethanat e çështjes konkrete janë të ngjashme me ato të çështjeve të sipërpërmendura dhe për këtë arsye, ndërhyrja duhet trajtuar në kuadrin e fjalisë së parë të paragrafit të parë të nenit 1 protokollit 1, i cili përcakton parimin e gëzimit të qetë të pronës në terma të përgjithshme.
78. Gjykata, si rrjedhojë duhet të përcaktojë nëse është vendosur një raport i drejtë midis kërkesave të interesit të përgjithshëm të komunitetit dhe kritereve të mbrojtjes së të drejtave themelore të individit. Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata duhet të përcaktojë nëse koha e nevojshme për autoritetet shtetërore për t’u paguar ankuesve kompensimin dhe për t`u kthyer tre ankuesve të parë pronat, për të cilat atyre u ishte njohur e drejta, e ka prishur këtë raport dhe nëse ajo (koha) ka vendosur një pengesë të “pajustifikuar”mbi ta.
79. Gjykata rikujton se shteti ka një hapësirë të gjerë vlerësimi për të përcaktuar se cili është interesi i përgjithshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për kompensim për shkak të shtetëzimit ose shpronësimit, duke qenë se legjislacioni i brendshëm ka një diskrecion të gjerë në zbatimin e politikave ekonomiko-shoqërore.
Megjithatë, kjo hapësirë vlerësimi nuk është e pakufizuar dhe përdorimi i saj është objekt rishikimi nga mekanizmat e Konventës. (shih Lithgoë dhe të tjerë v. the United Kingdom, vendim i 8 korrikut 1986, Series A no. 102, pp. 50‑51, §§ 121-22).
80.Në çështjen në fjalë, kanë kaluar 12 dhe 11 vjet respektivisht nga nxjerrja e vendimeve të Komisionit të 1995 dhe 1996, pa iu mundësuar ankuesve pagimin e kompensimit. Për më tepër, situata që rezulton si pasojë e shitjes së pronës përkatëse (sipërfaqje 30 500 m2) dhe vendimi i komisionit të tokës i 8 janarit 2003 pati efektin e privimit të ankuesve nga përfitimet e ekzekutimit të këtij vendimi (paragrafi 63 më sipër).
81. Gjykata vlerëson se mosekzekutimit i vendimeve të komisionit të 1995 dhe 1996 dhe të gjykatës së rrethit të 4 shkurtit 2000, kanë krijuar për ankuesin një gjendje pasigurie lidhur me realizimin e të drejtave të tij të pronësisë. Për më tepër, për një periudhë kohe të konsiderueshme, autoritetet i penguan ata nga gëzimi i përftimit të mirave materiale dhe përdorimi i tokës.
82. Pala shtetërore parashtroi se megjithë angazhimin i autoriteteve administrative për të zbatuar Aktin e Pronësisë dhe të Tokës, procedurat ishin shumë komplekse, pasi autoritetet duhet të shpreheshin lidhur me përcaktimin e mënyrës dhe fondeve për të përmbushur detyrimet e tyre, që rezultonin nga këto Akte. Duke pasur parasysh që nuk ekzistojnë rregulla të qarta ligjore në të drejtën e brendshme lidhur me llogaritjen e kompensimit ose ndonjë procedurë tjetër e ngjashme për të ekzekutuar vendimet e komisionit lidhur me kompensimet (shih paragrafin 24 më sipër), Gjykata nuk e vlerëson këtë argument, si shumë bindës, duke mbajtur në konsideratë faktin se ishte pikërisht mosveprimi i autoriteteve që shkaktoi “ndërhyrje” lidhur me çështjen në fjalë. Në çdo rast, ankuesit nuk duhet të pengoheshin të përfitonin nga zgjidhja me sukses e mosmarrëveshjes, në favor të tyre, mbi bazën e vështirësive të pretenduara, që po kalonte shteti (shiko mutatis mutandis Jeličić v. Bosnia dhe Herzegovina, nr. 41183/02, § 42, ECHR 2006‑...).
83. Si përfundim, pala shqiptare nuk ka paraqitur ndonjë provë bindëse për të justifikuar mospërcaktimin për një kohë kaq të gjatë të shumës përfundimtare të kompensimit dhe moskthimin ndaj tre ankuesve të parë dhe parcelës së tokës, që tashmë është në zotërim të të tretëve. Kjo rezulton në një ndërhyrje në të drejtën e pronësisë të ankuesve, që në këndvështrimin e Gjykatës, është e tillë sa ka vendosur një pengesë të pajustifikuar mbi ta.
84.Duke vlerësuar të gjitha rrethanat, Gjykata çmon se ka pasur shkelje të nenit 1 të protokollit 1, lidhur me çështjen e kompensimit për të gjithë ankuesit dhe, përsa i përket tre ankuesve të parë, edhe lidhur me çështjen e rikthimit të pronës.
III. SHKELJE TË TJERA TË PRETENDUARA TË KONVENTËS
85. Së fundmi, tre ankuesit e fundit pretenduan se gjykatat vendase i kanë diskriminuar mbi bazën e residencës së tyre, në shkelje të hapur të të drejtave të tyre të pronësisë. Ata u mbështetën në nenin 14 të Konventës, marrë së bashku me nenin 1 të protokollit Nr.1.
86. Pala shqiptare e kundërshtoi këtë argument.
87. Gjykata vëren se në vendimin e tij të 11 nëntorit 1998, komisioni i tokës i hodhi poshtë pretendimet e tre ankuesve të fundit me arsyetimin se ata nuk ishin rezidentë në zonën ku gjendej prona që ata pretendonin. Ankuesit nuk apeluan ndaj këtij vendimi.
88. Gjykata çmon se mosparaqitja e çështjes së diskriminimit të tyre para gjykatave vendase, ankuesit nuk kanë ezauruar mjetet e brendshme të ankimit për qëllimet e nenit 35 § 1. Si rrjedhojë, ky ankim duhet të hidhet poshtë në përputhje me nenin 35 §§ 1 dhe 4 të Konventës.
IV. ZBATIMI I NENEVE 46 DHE 41 TË KONVENTËS
A. Neni 46 i Konventës
89. Neni 46 i Konventës parashikon:
1. Palët e larta kontraktuese angazhohen t’iu binden vendimeve përfundimtare të Gjykatës në mosmarrëveshjet në të cilat ato janë palë. 2.Vendimi përfundimtar i transmetohet Komitetit të Ministrave, i cili monitoron zbatimin e tij.
90.Gjykata vëren se në përfundimet e mësipërme të saj, del qartë se cënimi i të drejtave të ankuesve të garantuara nga neni 6 § 1 i Konventës dhe neni 1 i Protokollit nr.1 vjen nga një problem i përhapur që ndikon mbi një numër të madh njerëzish, konkretisht nga pengesa e pajustifikueshme e së drejtës së tyre për një gëzim të qetë të pronës së tyre, si pasojë e mosekzekutimit të vendimit të Komisionit, të cilat caktonin kompensim në përputhje me Aktin e Pronësisë. Në të vërtetë, ka tashmë dhjetëra ankime identike në Gjykatë. Përshkallëzimi i numrit të kërkesave është një faktor rëndues përsa i përket përgjegjësisë së shtetit në bazë të Konventës, dhe është një kërcënim për efikasitetin në të ardhmen e sistemit të vendosur nga Konventa, kështu që sipas këndvështrimit të Gjykatës, vakumi ligjor i konstatuar në çështjen konkrete të ankimuesit, mund t’i japë jetë një numri të shumtë kërkesash të tjera të bazuara.
91.Përpara shqyrtimit të pretendimeve individuale të ankuesit për zhdëmtim të drejtë sipas nenit 41 të Konventës dhe duke pasur parasysh rrethanat e çështjes konkrete, Gjykata dëshiron të marrë në konsideratë pasojat që rrjedhin nga neni 46 për shtetin e paditur. Gjykata rithekson se, sipas nenit 46, shtetet kontraktuese duhet t’u binden vendimeve përfundimtare të Gjykatës në mosmarrëveshjet në të cilat ata janë palë, mbikëqyrja e ekzekutimit të të cilave është në kompetencë të Komitetit të Ministrave. Një ndër efektet e këtij neni është që aty ku Gjykata konstaton shkelje, shteti i paditur ka detyrimin ligjor jo vetëm për t’u paguar personave përkatës shumat e përcaktuara, për një dëmshpërblim të drejtë, në bazë të nenit 41, por duhet të përzgjedhë dhe masat e përgjithshme dhe/ose kur është e përshtatshme masat e veçanta që duhet të adoptohen nga legjislacioni i brendshëm, për t’i dhënë fund shkeljes së konstatuar nga Gjykata dhe të mënjanojë sa të jetë e mundur efektet . Kjo përzgjedhje lidhur me masat që shteti duhet të ndërmarrë është objekt monitorimi nga Komiteti i Ministrave. Autoritetet kombëtare kanë detyrimin të ndërmarrin-me fuqi prapavepruese nëse është e mundur-(shiko midis të tjerave Scordino v. Italy (nr. 1) [GC], nr. 36813/97, § 233, ECHR 2006 dhe Bronioëski v. Poland [GC], no. 31443/96, § 192, ECHR 2004-V; Bottazzi v. Italy [GC], nr.34884/97, § 22, ECHR 1999-V, Di Mauro v. Italy [GC], nr. 34256/96, § 23, ECHR 1999-V), masat e nevojshme për rivendosjen e së drejtës së shkelur, në përputhje me parimin e subsidiaritetit të Konventës, në mënyrë të tillë që Gjykata të mos rigjejë shkelje në një seri të gjatë rastesh të ngjashme. Këto masa, gjithashtu i nënshtrohen monitorimit nga Komiteti i Ministrave.
92. Në këtë kuadër, si pjesë e masave të përcaktuara për të garantuar efektivitetin e mekanizmit të krijuar nga Konventa, Gjykata tërheq vëmendjen lidhur me Rezolutën (Res(2004)3) dhe Rekomandimin Rec(2004)6) të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, të dyja të miratuara në 12 maj 2004.
93. Në teori nuk është Gjykata që duhet të përcaktojë se cilat mund të jenë masat e duhura për korrigjimin e situatës, në mënyrë që shteti i paditur të veprojë në përputhje me detyrimet e tij sipas nenit 46 të Konventës. Megjithatë, shqetësimi i Gjykatës është të lehtësojë ndikimin e pasojave të keqfunksionimit të hasur në sistemin kombëtar të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Në këtë kontekst duke iu referuar edhe gjendjes së konstatuar më sipër, (shiko paragrafin 90 më sipër), Gjykata çmon se masa të përgjithshme në shkallë kombëtare duhet të ndërmerren padyshim në ekzekutimin e vendimit aktual.
94. Me qëllim për të asistuar në zbatimin e detyrimeve sipas nenit 46 nga shteti i paditur, Gjykata u përpoq të tregonte llojin e masave që shteti shqiptar mund të ndërmarrë për t’i dhënë fund natyrës dhe shkaqeve të shkeljeve të gjetura në çështjen në fjalë. Ajo vlerëson se shteti i paditur duhet para së gjithash të parashikojë një mjet juridik që të sigurojë një korrigjim të vërtetë dhe efektiv për shkeljet e identifikuara të Konventës në gjykimin në fjalë, si dhe lidhur me gjithë ankimet e ngjashme në pritje, në përputhje me parimet për mbrojtjen e të drejtave të parashikuara në nenin 6 § 1 dhe 13 të Konventës dhe nenit 1 të protokollit nr.1. Duke parashikuar mjetin e duhur, shteti duhet, inter alia të caktojë organin kompetent, të përcaktojë rregullat procedurale, të sigurojë zbatimin e këtyre rregullave në praktikë dhe të evitojë të gjitha pengesat për dhënien e kompensimit sipas Aktit të Pronësisë. Këto objektiva mund të arrihen duke marrë masat e duhura ligjore, administrative dhe buxhetore. Këto masa duhet të përfshijnë hartimin e hartave për vlerësimin e pronës, për ankuesit të cilëve u është dhënë e drejta të marrin kompensim në natyrë, si dhe përcaktimin e një fondi të përshtatshëm, për ankuesit, të cilëve u është dhënë e drejta të marrin kompensim në vlerë, e gjithë kjo për t’u mundësuar të gjithë kërkuesve të kenë një vendim gjyqësor të suksesshëm në favor të tyre, i cili i kompenson ata sipas Aktit të Pronësisë, për të marrë sa më shpejt shumën ose tokën e caktuar. Këto masa duhet të trajtohen si çështje urgjente.
B. Neni 41 i Konventës
95. Neni 41 i Konventës parashikon:
Kur Gjykata deklaron shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj, dhe në qoftë se e drejta e brendshme e palës së lartë kontraktuese mundëson vetëm një mënjanim të pjesshëm të pasojave që kanë rrjedhur nga kjo shkelje, Gjykata, kur ka vend, i cakton palës së dëmtuar, një shpërblim të drejtë.
1. Dëmi
96.Përsa i përket dëmit material, ankuesit kërkuan 590 000 euro për parcelat e tokës me një sipërfaqe totale prej 36 000 m katror dhe 65 500 euro për dyqanet. Në përllogaritjen e shumave të mësipërme, ankuesit patën parasysh vlerën aktuale të tregut të pronave, pra 2 000 euro për metër katror për tokën dhe 2 200 euro për metër katror për dyqanet. Gjithashtu ata e lanë në çmimin e Gjykatës të vendoste normën e interesit për periudhën gjatë së cilës autoritetet nuk mundën t’u paguanin atyre kompensimin. Së fundmi, aplikantët kërkuan 12 000 euro për dëmin jomaterial.
97. Pala shqiptare i kundërshtoi pretendimet e ankuesve, por nuk paraqiti ndonjë argument lidhur me shumat e pretenduara nga ankuesit. Megjithatë ata konfirmuan angazhimin e tyre për gjetjen e një zgjidhjeje për problemin e rikthimit të pronës dhe pagesën e kompensimit në përputhje me dispozitat përkatëse statutore. Në këto rrethana, Pala shtetërore i kërkoi Gjykatës të vendoste nëse vetë konstatimi i shkeljes do të përbënte në vetvete një shpërblim të drejtë.
98. Gjykata përsërit se një gjykim në të cilin konstatohet një shkelje, ngarkon shtetin e paditur me një detyrim ligjor për t’i dhënë fund shkeljes dhe të mënjanojë pasojat e saj në atë mënyrë që ta kthejë situatën në gjendjen e mëparshme (shiko ish-mbreti i Greqisë dhe të tjerët v. Greqisë [GC] (just satisfaction), no. 25701/94, § 72. Nëse legjislacioni i brendshëm mundëson vetëm riparim të pjeshëm të dëmit, neni 41 i Konventës i jep Gjykatës kompetencë për të kompensuar palën e dëmtuar për veprimin apo mosveprimin që shkaktoi konstatimin e shkeljes. Gjykata gëzon një lloj diskrecioni në ushtrimin e kësaj kompetence, ashtu sikurse dëshmon edhe kushti “i drejtë” dhe fraza “nëse është e nevojshme”.
99.Midis çështjeve që Gjykata merr parasysh kur vlerësohet kompensimi, janë dëmi pasuror, domethënë, humbja aktualisht e shkaktuar si rezultat i drejtpërdrejtë i shkeljes së pretenduar dhe dëmi jopasuror, domethënë kompensimi për ankthin, vështirësitë dhe pasigurinë e shkaktuar nga shkelja dhe dëme të tjera jopasurore (shih, midis autoriteteve të tjera, Ernestina Zullo v. Italy, Nr 64897/01, § 25, 10 nëntor 2004).Për më tepër, nëse një ose më shumë kategori specifike të dëmit nuk mund të llogariten saktësisht, ose nëse dallimi midis dëmit pasuror dhe jopasuror duket i vështirë, Gjykata mund të vendosë të bëjë një vlerësim total (shih Comingersoll v. Portugal [GC], No 35382/97, § 29, ECHR 2000-IV).
100. Gjykata më tej rikujton se forma më e përshtatshme e kompensimit lidhur me rivendosjen e së drejtës së shkelur në kuadër të nenit 6 është të sigurojë që ankuesi, për sa është e mundur të vihet në pozicionin, që ai ose ajo do të kishte qenë nëse kërkesat e nenit 6 do të ishin respektuar. (shih Teteriny v. Russia, nr. 11931/03, § 56, 30 qershor 2005). Duke pasur parasysh natyrën e shkeljes së konstatuar, Gjykata çmon se ankuesit kanë pësuar një dëm të konsiderueshëm pasuror dhe jopasuror, si pasojë e cenimit të të drejtave të tyre të njohura nga Konventa, arsye kjo pse vetëm konstatimi i shkeljes nuk mund të përbëjë një shpërblim të drejtë në kuptimin e nenit 41.
101. Duke pasur në konsideratë konstatimet e saj, në vendimet e marrë së fundmi, nga Gjykata, në të cilat ajo ka parashtruar që autoritetet shqiptare duhet të merrnin masa të përshtatshme për të ekzekutuar vendimet e formë së prerë (shih Qufaj Co. sh.p.k., të përmendur më sipër, § 54-59, dhe gjithashtu, Beshiri dhe të Tjerë, i sipërpërmendur, § 109), si dhe duke pasur parasysh se autoritetet shtetërore nuk kanë marrë masat e përshtatshme, të sugjeruara në gjykimet e fundit të sipërcituara, për të siguruar mjetet e nevojshme që do të mundësonin ekzekutimin e vendimeve të kompensimit, Gjykata çmon se nuk i mbetet mundësi tjetër, përveçse të caktojë një shpërblim i cili do të përbëjë një rregullim të plotë dhe përfundimtar të problemit të pronësisë (shih, midis autoriteteve të tjera Plotnikovy v.Russia, nr. 43883/02, § 33, 24 shkurt 2005 dhe OOO Rusatommet v. Russia, nr.61651/00, § 33, 14 qershor 2005).
102. Gjykata çmon se, në rrethanat e çështjes në fjalë, kthimi i parcelës së tokës, me sipërfaqe 30 500 m2, sipas vendimit të komisionit të tokës së 8 janarit 2003 dhe pagesa e kompensimit, e cila i korrespondon vlerës së parcelës së tokës, me sipërfaqe 5 500 m2 dhe 150 m2, në kohën e vendimit, duke përfshirë edhe shkallën e interesit që pasqyron ndërhyrjen, pasojë e së cilës ishte humbja e pronësisë dhe përdorimit të parcelës së tokës, do t`i vendosnin tre ankuesit e parë dhe të gjithë ankuesit e tjerë, aq sa është e mundur, në një situatë të njëjtë me atë në të cilën do të kishin qenë, ata po të mos kishim shkelje të Konventës.
103. Duke marrë në konsideratë, se nga materialet që disponon dhe nga fakti që autoritetet shtetërore nuk kanë parashtruar ndonjë kundërshtim mbi metodat e llogaritjes së kompensimit, të paraqitura nga ankuesit, si dhe duke bërë një vlerësim të drejtë, Gjykata u cakton bashkërisht të gjithë ankuesve një shumë totale prej 64 000 euro, për dëmin pasuror dhe jopasuror, lidhur me parcelën e tokës me sipërfaqe 5 500 m2 dhe 150 m2.
104. Më tej, ajo u cakton tre ankuesve të parë një shumë totale prej 25 000 euro së bashku me kthimin e parcelës së tokës me sipërfaqe 30 500 m2. Në rast të moskthimit të parcelës së tokës nga shtetit, brenda tre muajve nga data që ky vendim bëhet përfundimtar, Gjykata vendos që shteti duhet tu paguajë së bashku tre ankuesve të pare, një shumë prej 120 000 euro për dëmin pasuror dhe jopasuror, lidhur me këtë pronë.
Kostot dhe shpenzimet
105. Ankuesit që morën 824 euro për ndihmë ligjore nga Këshilli i Europës, lidhur me paraqitjen e çështjes së tyre kërkuan 2 800 euro dhe 2 500 euro përkatësisht për kostot dhe shpenzimet para gjykatave kombëtare dhe para Gjykatës. Ata nuk paraqitën ndonjë analizë të detajuar për vërtetimin e pretendimeve të tyre për kostot dhe shpenzimet para gjykatave kombëtare.
106. Pala shqiptare i kundërshtoi pretendimet e tyre.
107. Bazuar në jurisprudencën e Gjykatës, një ankues ka të drejtë të rimbursohet për kostot dhe shpenzimet vetëm nëse vërtetohet se ato janë paguar realisht, kanë qenë të nevojshme të paguheshin dhe kanë qenë të arsyeshme përsa i përket sasisë.
108. Në çështjen në fjalë, duke konsideruar informacionin e ofruar dhe kriteret e mësipërme, Gjykata vlerëson se është e arsyeshme të caktojë shumën 1 676 euro, përveç shumës së dhënë nga Këshilli i Europës për ndihmë ligjore, lidhur me kostot dhe shpenzimet për procedimet para Gjykatës, por rrëzon si të paprovuara pretendimet lidhur me kostot për procedimet para autoriteteve të brendshme.
3. Interesi i mospagimit
Gjykata çmon të nevojshme se interesi i mospagimit duhet të bazohet në normën marzhinale të huadhënies të Bankës Qendrore Europiane, së cilës duhet t’i shtohen tre pikë për qind.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA UNANIMISHT:
1. Deklaron ankesat në lidhje me nenin 6 § 1 të Konventës, nenit 13 të Konventës dhe nenit 1 të protokollit shtesë nr.1 të Konventës, lidhur me vendimet e komisionit të 7 qershorit 1995 dhe 20 shtatorit 1996 të pranueshme;
2. Deklaron ankesat lidhur me nenin 6 § 1 dhe nenit 1 të protokollit nr.1 shtesë të Konventës, përsa i përket vendimit të gjykatë së rrethit të Kavajës 4 shkurt 2000, të pranueshme për tre ankuesit e parë dhe deklaron pjesën tjetër të ankimit si të papranueshëm;
3. Vlerëson, se ka pasur shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës, përsa i përket neglizhencës për të ekzekutuar vendimet e Komisionit të 7 qershorit 1995 dhe 20 shtatorit 1996, si dhe vendimit të gjykatë së rrethit Kavajë të 4 shkurtit 2000;
4. Vlerëson, se ka pasur shkelje të nenit 13 të Konventës I marrë së bashku me nenin 6 § 1 të Konventës, përsa i përket mosefektivitetit të mjeteve në dispozicion të ankuesit për të siguruar ekzekutimin e vendimeve të Komisionit të 7 qershorit 1995 dhe 20 shtatorit 1996;
5. Vlerëson se ka pasur shkelje të nenit 1 të protokollit të parë shtesë të Konventës për të gjithë ankuesit, përsa i përket parcelës së tokës me sipërfaqe 5 500 m2 dhe dyqaneve, dhe për 3 ankuesit e parë përsa i përket parcelës së tokës me sipërfaqe 30 500 m2;
6. Vlerëson se
a) Shteti i paditur duhet t’i kthejë tre ankuesve të parë brenda 3 muajve nga data në të cilën vendimi merr formë të prerë në pajtim me nenin 44 § 2 të Konventës, parcelën e tokës me sipërfaqe 30 500 m2 sq. dhe tu paguajë atyre së bashku shumën prej 25 000 euro (njëzet e pesë mijë euro) për dëmin pasuror dhe jopasuror, e cila do të konvertohet në monedhën vendase të shtetit të paditur, në normën e zbatueshme në datën e shlyerjes, duke përfshirë edhe ndonjë taksë që mund të jetë e tatueshme;
b) Nëse dështon në kthimin e tokës së mësipërme, shteti i paditur detyrohet t’u paguajë së bashku tre ankuesve, brenda gjashtë muajve nga data në të cilën vendimi merr formë të prerë, në pajtim me nenin 44 § 2 të Konventës, 120 000 euro (një qind e njëzet mijë) për dëmin pasuror dhe jopasuror. Kjo shumë duhet të konvertohet në monedhën vendase të shtetit të paditur, në normën e zbatueshme në datën e shlyerjes, duke përfshirë edhe ndonjë taksë që mund të jetë e tatueshme;
c) Shteti i paditur duhet t’u paguajë ankuesve, brenda tre muajve nga data në të cilën vendimi merr formë të prerë, në pajtim me nenin 44 § 2 të Konventës, shumat e mëposhtme, të cilat duhen konvertuar në monedhën vendase të shtetit të paditur, në normën e zbatueshme në datën e shlyerjes, duke përfshirë edhe ndonjë taksë që mund të jetë e tatueshme:
i) 64 000 euro (gjashtëdhjetë e katër mijë euro) për dëmin pasuror dhe jopasuror përsa u përket parcelave të tokës me sipërfaqe prej 5 500 m2 dhe 150 m2;
ii) 1 676 euro(një mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e gjashtë euro) për kostot dhe shpenzimet;
d) Që nga skadimi i afatit të sipërpërmendur prej gjashtë muajsh (përsa i përket pikës (a) dhe (b), dhe prej tre muajsh (përsa i përket pikës (c)) interesi i thjeshtë i shlyerjes do të jetë i pagueshëm mbi shumat e mësipërme në një normë të barabartë me normën marzhinale të huadhënies së Bankës Qendrore Europiane gjatë periudhës së mospagimit, plus tre pikë për qind.
7. Hedh poshtë pjesën e mbetur të pretendimeve të ankuesit për shpërblim të drejtë.
Përgatitur në gjuhën angleze dhe njoftuar me shkrim më 13 nëntor 2007, sipas rregullit 77 § 2 dhe 3 të rregullores së Gjykatës.
T.L EARLY Josep CASADEVALL
Kryesekretar President
Full & Egal Universal Law Academy