REHBOCK kundër SLLOVENISË
(nr. 29462/95)
28 nëntor 2000
shteteve iu bie barra e provës për të spjeguar rrethanat e dëmtimeve të pësuara nga personat gjatë arrestimit ose paraburgimit dhe habeas corpus duhet të shpalosë të gjitha efektet e saj në raste të tilla
I.Faktet kryesore
1.Kërkuesi, Ernst Rehbock, shtetas gjerman, ka lindur në vitin 1959 dhe jeton në Gjermani. Më 8 shtator 1995 ai bashkë me një shoqen e tij kaloi kufirin mes Austrisë dhe Sllovenisë afër Sentilit dhe u arrestua po atë ditë nga policia sllovene në Doliç. Palët nuk bien dakord mbi rrethanat e arrestimit.
2.Sipas versionit të kërkuesit, ai e gjeti veten të rrethuar nga gjashtë burra të armatosur me një pushkë me tytë të shkurtër dhe pistoleta. Ata ishin të veshur me të zeza dhe mbanin maska të zeza. Ata e sulmuan kërkuesin pa paralajmërim. Kërkuesi u vu shpejt nën kontroll dhe nuk bëri asnjë përpjekje për të rezistuar. Pavarësisht nga britmat e tij në gjuhën gjermane dhe angleze se ai nuk do bonte rezistencë, ai u tërhoq mizorisht mbi anën e përparme të një makine dhe u prangos me duart mbrapa. Në të njëjtën kohë katër burra të tjerë e godisnin me grushta në kokë. Ai mori plagë të rënda në fytyrë dhe pati dhimbje të forta. Sipas versionit të Qeverisë kërkuesi ishte arrestuar në kontekstin e një operacioni kundër trafikut të drogës. Kur formuan ekipin policor, autoritetet mbajtën parasysh faktin se kërkuesi, të cilin ata dyshonin se tregtonte drogë, ishte jashtëzakonisht i fortë pasi kishte fituar disa herë kampionatin gjerman të body building. Një raport i përgatitur mbi rrethanat e arrestimit dhe që iu paraqit Gjykatës më 23 maj 2000, tregonte se kërkuesi dhe shoqja e tij u ndaluan nga policia kriminale e cila iu tha atyre të qëndronin pa lëvizur. Dy policë iu afruan kërkuesit për ta kontrolluar por ai nuk iu bind urdhrit dhe u përpoq të largohej. Policët u përpoqën ta vinin nën kontroll por kërkuesi vazhdonte të rezistonte. Duke parë rezistencën e tij policët e shtrinë atë përtokë midis makinave të parkuara. Në përleshje e sipër kërkuesi u përplas me fytyrë në parakolpin e një makine dhe në pllakat e parkimit, ndërsa policët i vunë prangat. Një mjek që vizitoi Z. Rehbock një ditë pas arrestimit diagnostikoi një thyerje të dyfishtë të nofullës dhe nxirje në fytyrë. Kërkuesi nuk pranoi t’i nënshtrohej një operacioni.
3.Kërkuesi u akuzua për kontrabandë të lëndëve narkotike dhe u mbajt në paraburgim. Kërkesa e tij e 3 tetorit 1995 për t’u liruar u hodh poshtë më 26 tetor 1995. Një tjetër kërkesë për lirim e parashtruar nga kërkuesi më 29 nëntor 1995 u hodh poshtë më 22 dhjetor 1995. Më 29 prill 1996, Gjykata e Lartë e Mariborit mbështeti vendimin e shkallës së parë duke e dënuar kërkuesin për veprat penale të kontrabandës së narkotikëve dhe e dënoi me 17 muaj burg.
4.Kërkuesi u ankua se trajtimi të cilit ai i ishte nënshtruar gjatë arrestimit dhe paraburgimit të tij në Slloveni ka qenë në kundërshtim me nenin 3. Në veçanti, ai pretendoi se atij nuk i ishte siguruar kujdesi i duhur mjekësor. Ai ankohej se nuk ka qenë në gjendje të ndërmarrë procedurat që do vendosnin mbi ligjshmërinë e paraburgimit të tij siç kërkohet nga neni 5 § 4 dhe se e drejta e tij për kompensim, siç garantohet me nenin 5 § 5 ishte shkelur. Ai pretendoi gjithashtu shkelje të nenit 8 për shkak se korrespondenca e tij me Komisionin ishte monitoruar gjatë burgimit të tij në Slloveni.
II.Vendimi i Gjykatës
A.Në lidhje me prapësimet paraprake të qeverisë
5.Qeveria prentendoi se kërkuesi nuk kishte shteruar mjetet e brendshme juridike siç kërkohet nga neni 35 § 1 të Konventës pasi ai nuk kishte bërë një kërkesë përpara Gjykatës Kushtetuese. Gjykata e hodhi poshtë njëzëri këtë prapësim, pasi nuk ishte ngritur para vendimit të Komisionit mbi pranueshmërinë e kërkesës.
6.Qeveria më tej pretendoi se Komisioni kishte shqyrtuar faktet e çështjes sipas nenit 5 § 4 dhe 5, pavarësisht faktit se kërkuesi nuk i kishte përdorur këto dispozita në kërkesën e tij. Gjykata e hodhi poshtë njëzëri edhe këtë prapësim pasi sipas jurisprudencës së saj ajo është e lirë t’i atribuojë një karakterizim të ri juridik fakteve të çështjes, karakterizim që siç provohet para saj, mund të jetë krejt i ndryshëm nga ai që i ka dhënë kërkuesi.
B. Në lidhje me neni 3
7.Në rastin konkret, kërkuesi nuk u arrestua gjatë një operacioni të rastësishëm, i cili mund të shkaktonte zhvillime të papritura për të cilat policia mund të ishte e papërgatitur paraprakisht. Dokumentet para Gjykatës treguan se policia kishte planifikuar më parë operacionin e arrestimit dhe se ata kishin kohë të mjaftueshme për të vlerësuar rreziqet e mundshme dhe për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të kryer arrestimin. Për më tepër, kërkuesi nuk i kërcënoi policët që e arrestonin atë, për shembull, duke mbajtur armë në mënyrë të hapur ose duke i sulmuar ata. Në këtë sfond, duke pasur parasysh natyrën veçanërisht serioze të lëndimit të kërkuesit dhe duke vënë re se rrethanat e ngjarjes, për të cilat palët nuk binin dakord, nuk ishin konfirmuar nga ndonjë gjykatë kombëtare, barra e provës i binte Qeverisë për të provuar me argumente bindëse, se përdorimi i forcës në arrestimin e kërkuesit nuk kishte qenë i tepruar.
8.Pavarësisht përfundimeve të raportit të policisë mbi sjelljen e policisë gjatë arrestimit të kërkuesit të datës 8 mars 1996, të cilën Qeveria ia parashtroi Gjykatës më 23 maj 2000, Gjykata vlerësoi se Qeveria nuk kishte ofruar argumente bindëse ose të besueshme që të shpjegonin ose justifikonin shkallën e forcës së përdorur gjatë arrestimit. Ajo arriti në përfundimin se forca e përdorur kishte qenë e tepruar dhe e pajustifikuar në rrethanat konkrete të çështjes. Një përdorim i tillë i forcës shkaktoi dëmtime të cilat padyshim rezultuan në vuajtje të rënda për kërkuesin, të një natyre që përbënte trajtim çnjerëzor.
9.Përsa i përket keqtrajtimit të pretenduar të kërkuesit gjatë paraburgimit të tij, Gjykata gjeti se kërkuesi ishte vizituar rregullisht nga mjekët dhe se ai vetë kishte refuzuar t’i nënshtrohej një operacioni të rekomanduar nga specialistët. Për këto arsye ajo arriti në përfundimin se asnjë çështje e veçantë nën nenin 3 nuk ngrihej në këtë drejtim.
10. Gjykata më tej konsideroi se trajtimi të cilit kërkuesi i ishte nënshtruar në burg, domethënë dështimi i stafit të burgut për t’i dhënë atij ilaçe në disa raste, nuk ishte aq i rëndë për të arritur në përfundimin se e drejta e tij sipas nenit 3 në këtë aspekt ishte shkelur.
C. Në lidhje me nenin 5 § 4
11. Gjykata kujtoi se neni 5 § 4, i cili u njeh të ndaluarve të drejtën për të filluar procedurën për të kundërshtuar ligjshmërinë e heqjes së lirisë së tyre, shpall gjithashtu të drejtën e tyre, pas fillimit të kësaj procedure, për një vendim gjyqësor të shpejtë mbi ligjshmërinë e heqjes së lirisë dhe urdhërimin e ndërprerjes nëse ajo konsiderohet e paligjshme. Ajo konstatoi se afati prej 23 ditësh, që iu desh gjykatës kompetente për të shqyrtuar kërkesat e 3 tetorit 1995 dhe 29 nëntorit 1995 që kërkuesi bëri për t’u liruar, ishte i papajtueshëm me kërkesën e një shqyrtimi të shpejtë të kërkuar nga neni 5 § 4.
D. Në lidhje me nenin 5 § 5
12. Gjykata gjeti shkelje të nenit 5 § 5 meqë e drejta e kërkuesit për kompensim në lidhje me shkeljen e nenit 5 § 4 të Konventës të konstatuar nga Gjykata nuk garantohej aq qartë sa duhej nga ligji slloven.
E. Në lidhje me nenin 8
13. Gjykata konstatoi se monitorimi i korrespondencës së kërkuesit me Komisionin përbënte një ndërhyrje në të drejtat e tij sipas nenit 8 § 1. Ajo kujtoi se, që të mos jetë në kundërshtim me nenin 8, një ndërhyrje e tillë duhet të ndjekë një qëllim legjitim sipas paragrafit 2 dhe të jetë e nevojshme në një shoqëri demokratike për të arritur këtë qëllim.
14. Ndërhyrja kishte një bazë ligjore, nenin 211 § 3 të Kodit të Procedurës Penale dhe mund të supozohet se ka ndjekur qëllimin legjitim të "parandalimit të trazirave ose krimit". Përsa i përket nevojës së ndërhyrjes, Gjykata vlerësoi se nuk kishte arsye bindëse për të monitoruar korrespondencën përkatëse duke pasur parasysh rëndësinë e respektimit të natyrës konfidenciale të kësaj korrespondence. Ajo arriti në përfundimin se kjo ndërhyrje nuk ishte e nevojshme në një shoqëri demokratike në kuptim të nenit 8 § 2 dhe se, rrjedhimisht, kishte pasur shkelje të nenit 8.
F. Në lidhje me nenin 41
15. Gjatë vlerësimit të dëmit jomaterial të pësuar nga kërkuesi, Gjykata mori parasysh faktin që kërkuesi nuk kishte qenë i gatshëm t’i nënshtrohej ndërhyrjes mjekësore për gjendjen e tij në Slloveni pavarësisht sugjerimit nga mjekët specialistë. Ajo i akordoi kërkuesit 25,000 DEM. Përsa i përket kërkesave të kërkuesit për rimbursimin e shpenzimeve të tij, Gjykata e konsideronte të arsyeshme të japë 7,000 DEM, duke zbritur 17,098.12 FF që i ishin akorduar si ndihmë juridike nga Këshilli i Evropës. Gjykata hodhi poshtë pjesën e mbetur të kërkesave të kërkuesit për një shpërblim të drejtë.
Full & Egal Universal Law Academy