© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA ROHLENA k. REPUBLIKËS ÇEKE
(Kërkesëpadia nr. 59552/08)
VENDIM
STRASBURG
27 janar 2015
Ky vendim është i formës së prerë. Atij mund t’i bëhen rishikime në redaktim.
Në çështjen Rohlena k. Republikës Çeke,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e mbledhur në një Dhomë të Madhe të përbërë nga:
Dean Spielmann, kryetar,
Josep Casadevall,
Guido Raimondi,
Ineta Ziemele,
Isabelle Berro,
Elisabeth Steiner,
Päivi Hirvelä,
Mirjana Lazarova Trajkovska,
Işıl Karakaş,
Kristina Pardalos,
Paulo Pinto de Albuquerque,
Aleš Pejchal,
Valeriu Griţco,
Faris Vehabović,
Dmitry Dedov,
Egidijus Kūris,
Robert Spano, gjyqtarë,
e nga Michael O’Boyle, zëvendëssekretar,
Pasi e diskutoi çështjen në dhomë këshillimi më 9 prill 2014 dhe më 19 nëntor 2014,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë të fundit:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të kësaj çështjeje ndodhet një kërkesëpadi (nr. 59552/08) e drejtuar kundër Republikës Çeke dhe me anë të së cilës një shtetas i këtij shteti, Z. Petr Rohlena (“paditësi”), i është drejtuar Gjykatës më 4 dhjetor 2008 në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”).
2. Paditësi është përfaqësuar nga Z. J. Kružík, avokat në Bërno. Qeveria çeke (“Qeveria”) është përfaqësuar nga agjenti i saj, Z. V.A. Schorm, i Ministrisë së Drejtësisë.
3. Duke iu referuar nenit 7 të Konventës, paditësi mbronte në veçanti mendimin se, duke e dënuar për një vepër penale të vazhduar, juridiksionet e brendshme e kishin zbatuar ligjin penal në mënyrë prapavepruese, në dëm të tij.
4. Kërkesëpadia i është caktuar Seksionit të Pestë të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores). Më 14 nëntor 2011, kryetari i Seksionit të Pestë ka vendosur t’ia njoftojë atë Qeverisë. Më 18 prill 2013, një Dhomë e këtij Seksioni e përbërë nga Mark Villiger, kryetar, Angelika Nuβberger, Ganna Yudkivska, André Potocki, Paul Lemmens, Helena Jäderblom, Aleš Pejchal, gjyqtarë, dhe nga Claudia Westerdiek, sekretare seksioni, ka dhënë vendimin e saj. Ajo dilte aty në përfundim, njëzëri, për pranueshmërinë e padisë së ngritur në fushën e nenit 7 të Konventës, për papranueshmërinë e kërkesëpadisë lidhur me çdo kërkesë tjetër shtesë dhe se nuk kishte pasur shkelje të nenit 7. Vendimit i ishte bashkëngjitur paraqitja e mendimit pajtues të gjyqtarit Lemmens.
5. Më 9 shtator 2013, duke i dhënë të drejtë kërkesës së paraqitur nga paditësi më 11 korrik 2013, Kolegji i Dhomës së Madhe ka vendosur t’ia kalojë çështjen kësaj të fundit në zbatim të nenit 43 të Konventës.
6. Përbërja e Dhomës së Madhe është vendosur në përputhje me dispozitat e neneve 26 §§ 4 e 5 të Konventës dhe 24 të Rregullores.
7. Më 16 janar 2014, kryetari i Gjykatës ka vendosur të anulohet seanca e parashikuar për çështjen në fjalë dhe procedura të vijohet me shkrim.
8. Si paditësi ashtu edhe Qeveria kanë paraqitur vërejtje plotësuese me shkrim rreth themelit (neni 59 § 1 i Rregullores) dhe u janë përgjigjur pyetjeve specifike që u kishte drejtuar atyre Dhoma e Madhe.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
9. Paditësi ka lindur më 1966 dhe është me vendbanim në Bërno.
10. Më 29 maj 2006, ai u akuzua zyrtarisht nga prokurori bashkiak i Bërnos se, së paku gjatë periudhës që përfshihej midis vitit 2000 dhe 8 shkurtit 2006, e kishte keqtrajtuar bashkëshorten e tij në mënyrë të përsëritur fizikisht e psikologjikisht kur ishte në gjendje të dehur. Ai akuzohej se e kishte sulmuar atë me fjalë, se e kishte goditur në kokë me dorë e me grusht, se e kishte qëlluar me shuplakë, se e kishte kapur për fyti, se ishte përpjekur t’i zinte frymën, se e kishte përplasur ndaj orendive ose në dysheme, se e kishte shtyrë nëpër shkallë dhe se e kishte goditur me shkelma. Ai akuzohej gjithashtu se kishte rrahur fëmijët, se i kishte lënë të gjitha paratë e familjes nëpër lojëra fati dhe se kishte thyer enët. Ai i paskësh shkaktuar kështu të shoqes hematoma, kontuzione dhe një frakturë në hundë, çka e paskësh detyruar këtë të fundit të vizitohej te mjeku më 26 qershor 2000, më 18 korrik 2003 dhe më 8 shkurt 2006, pas sulmeve të pësuara përkatësisht më 24 qershor 2000, më 17 korrik 2003 dhe më 8 shkurt 2006. Ai qenkësh përpjekur ta dërrmonte të shoqen psikologjikisht me qëllimin për ta sunduar. Sipas prokurorit, paditësi ishte bërë kështu fajtor për veprën penale “të vazhdueshme” (trvající trestný čin) të keqtrajtimit ndaj një personi që jetonte nën të njëjtën strehë me të, në kuptimin e nenit 215a §§ 1 et 2 b) të Kodit Penal çek “Kodi Penal”, ndërsa veprimet e tij të kryera përpara parashikimit të kësaj vepre penale më 1 qershor 2004 përbënin akte dhune ndaj një individi ose një grupi individësh, vepër e parashikuar nga neni 197a i Kodit Penal, si edhe për goditje e plagosje, vepër e parashikuar nga neni 221 i Kodit Penal.
11. Më 18 prill 2007, Gjykata Bashkiake e Bërnos (“Gjykata Bashkiake”) e gjykoi paditësin fajtor për keqtrajtim ndaj një personi që jetonte nën të njëjtën strehë me të, shkelje të cilën ai e kishte kryer të paktën gjatë periudhës që përfshihej midis vitit 2000 dhe 8 shkurtit 2006 sipas mënyrës së vënë në dukje në aktakuzë, e cila saktësonte gjithashtu se keqtrajtimet ishin të përsëritura. Ajo e dënoi atë me dy vjet e gjysmë burgim me kusht, të shoqëruar me një afat vënieje në provë për pesë vjet, dhe e detyroi atë t’i nënshtrohej një mbikëqyrjeje dhe një mjekimi kundër alkoolit. Gjykata e mbështeti vendimin e saj mbi deponimet e paditësit, të viktimës (bashkëshortes së tij) dhe të disa dëshmitarëve, mes të cilëve fëmijët e çiftit, të cilët kishin treguar mes incidentesh të tjera dhjetë raste ku paditësi e kishte fyer me fjalë bashkëshorten e tij, katër raste ku ai e kishte kapur nga krahët përpara se të orvatej t’i zinte frymën si edhe sulme me fjalë dhe/ose fizike që ai i bënte asaj çdo muaj, dhe ajo mori në konsideratë dokumente të shkruara e ekspertiza. Ajo mori gjithashtu parasysh pohimet e paditësit, i cili e kishte njohur ekzistencën e grindjeve dhe dhunës fizike në marrëdhënien e tij me të shoqen dhe e kishte pranuar veçanërisht se e kishte goditur këtë të fundit me shuplaka e me grushte.
Duke përcaktuar cilësimin për keqtrajtim ndaj një personi që jetonte nën të njëjtën strehë me të, në kuptimin e nenit 215a §§ 1 e 2 b) të Kodit Penal ashtu siç ishte ky në fuqi që prej 1 qershorit 2004, Gjykata çmoi se ky cilësim përfshinte gjithashtu edhe veprimet e kryera nga i interesuari përpara kësaj date, meqenëse në çastin e kryerjes së tyre ato përbënin të paktën veprën e akteve të dhunshme kundër një individi ose një grupi individësh, të parashikuar nga neni 197a i Kodit Penal. Ajo qe më së fundi e mendimit se, duke pasur parasysh kohëzgjatjen e veprimeve në fjalë, shkelja e kryer në këtë çështje ishte e një shkalle rrezikshmërie mjaft të lartë e cila e përligjte një dënim që shkonte nga dy deri në tetë vjet burgim në bazë të paragrafit 2 të nenit 215a të Kodit Penal. Duke marrë parasysh disa rrethana lehtësuese, sidomos pohimet e vetë paditësit dhe qenien e tij i padënuar më parë, ajo i dha atij një dënim me burgim të përafërt me afatin minimal, të shoqëruar me kusht.
12. Paditësi iu drejtua Gjykatës Rajonale të Bërnos me një apelim ku ai kundërshtonte atë përcaktim të fakteve që kishte kryer Gjykata Bashkiake si edhe atë vlerësim, sipas tij të njëanshëm, të provave të bërë prej saj. Më 6 shtator 2007, Gjykata e rrëzoi ankimin e tij. Ajo nuk vërejti asnjë të metë në procedurën e mëparshme dhe e çmoi si në përputhje me dispozitat e Kodit Penal cilësimin që u ishte dhënë veprimeve të të interesuarit.
13. Më 21 shkurt 2008, Gjykata e Lartë e rrëzoi si haptazi të pabazuar rekursin për prishje vendimi të paraqitur nga paditësi. Ky i fundit mbronte mendimin se gjyqtari i themelit e kishte shtrirë zbatimin e nenit 215a të Kodit Penal edhe te veprimet që ai kishte kryer përpara datës 1 qershor 2004, ndërkohë që vepra e keqtrajtimit nuk ekzistonte ende në të drejtën e brendshme. Rreth kësaj pike, duke iu referuar vendimit të saj nr. Tzn 12/93 të datës 8 dhjetor 1993, Gjykata e Lartë deklaroi se kur kishte, ashtu si në çështjen në fjalë, “vazhdim të veprës penale” (pokračování v trestném činu), dhe ky i fundit quhej se përbënte po të njëjtin veprim të vetëm, cilësimi penal duhej të vlerësohej sipas kutit të ligjit në fuqi në datën e shfaqjes së fundit të veprës penale. Ajo tha se ky ligj zbatohej pra edhe për veprimet e kryera para hyrjes së tij në fuqi, me kusht që ato të dënoheshin penalisht nga ligji i mëparshëm. Në rastin konkret, ajo qe e mendimit se veprimet që kishte kryer paditësi përpara ndryshimit të Kodit Penal të bërë më 1 qershor 2004 përbënin të paktën një vepër penale të parashikuar nga nenet 197a ose 221 § 1 të Kodit Penal. Përveç kësaj, duke parë dosjen, ajo doli në përfundimin se veprimet e të akuzuarit, ashtu siç ishin parashtruar në dispozitivin e vendimit të shkallës së parë, i mblidhnin të gjitha elementet ligjore të veprës penale të keqtrajtimit ndaj një personi që jetonte nën të njëjtën strehë me të, në kuptimin e nenit 215a §§ 1 e 2 b) të Kodit Penal. Lidhur me pikën e vazhdimit të veprës penale, ajo vuri në dukje se keqtrajtimi përbënte në vetvete një keqtrajtim të karakterizuar nga njëfarë shtrirjeje në kohë. Ajo çmoi se, që të quhej se ishte shtrirë në kohë, kjo vepër penale duhej të ishte kryer gjatë një periudhe disamujore. Meqenëse paditësi e kishte kryer atë vepër të paktën gjatë periudhës që përfshihej ndërmjet vitit 2000 dhe 8 shkurtit 2006, domethënë për një periudhë disavjeçare, ajo gjykoi se veprimet e këtij të fundit e plotësonin haptazi elementin material të vazhdimit të veprës penale të keqtrajtimit, në kuptimin e nenit 215a § 2b) të Kodit Penal.
14. Më 10 qershor 2008, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi si haptazi të pabazuar rekursin për kushtetutshmëri të paditësit, i cili ishte ankuar për një mungesë drejtësie të procedurës e për një zbatim prapaveprues të Kodit Penal në dëm të tij. Duke iu referuar vendimit të sulmuar të Gjykatës së Lartë si edhe jurisprudencës përkatëse të kësaj të fundit, ajo gjykoi se vendimet e dhëna nga gjykatat për çështjen në fjalë ishin të logjikshme e koherente dhe se ato nuk i kishin dhënë ligjit ndonjë zbatim prapaveprues të ndaluar nga Kushtetuta.
15. Meqenëse kishte kryer një vepër tjetër penale gjatë afatit të vënies në provë dhe nuk i ishte nënshtruar një trajtimi antialkoolik, paditësi u detyrua të zbatonte dënimin me burgim të dhënë nga vendimi i 18 prillit 2007. Ai filloi ta vuajë atë më 3 janar 2011. Sipas Qeverisë, ai përfitoi nga një lirim me kusht më 17 maj 2012.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDSHME PËRKATËSE
A. Kodi Penal (Ligji nr. 140/1961, ashtu siç ka qenë në fuqi deri më 31 dhjetor 2009)
16. Në bazë të nenit 16 § 1, natyra penale e një veprimi vlerësohej sipas kutit të ligjit në fuqi në datën e kryerjes së tij. Zbatohej një ligj i mëvonshëm vetëm në qoftë se ai ishte më i favorshëm për autorin e veprës penale.
17. Neni 34k parashtronte se një gjykatë që jepte një dënim duhej ta konsideronte si rrethanë rënduese veçanërisht faktin se fajtori kishte kryer disa vepra penale.
18. Neni 35 § 1 përcaktonte se, kur një gjykatë e njihte një person fajtor për disa vepra penale, duhej të urdhërohej bashkimi i dënimeve (úhrnný trest) dhe të caktohej një dënim i vetëm mbi bazën e dispozitës ligjore që ndëshkonte më të rëndën prej atyre veprave penale. Në rast dallimesh për sa i takonte kohëzgjatjes së dënimeve minimale me burgim, për përcaktimin e kohëzgjatjes minimale të këtij dënimi të vetëm zgjidhej më i gjati prej këtyre të fundit.
19. Neni 67 § 1 d) parashikonte që përgjegjësia penale për një vepër e cila ndëshkohej me një dënim me burgim për një kohëzgjatje maksimale më të ulët sesa tre vjet parashkruhej pas përfundimit të një afati prej tre vjetësh. Paragrafët 3 dhe 4 të po të njëjtit nen saktësonin se ky afat ishte i pandërprerë dhe rifillonte të llogaritej a) në rast marrjeje si të pandehur të autorit të veprës penale në fjalë apo marrjeje të çfarëdo mase për rrjedhojë të saj (për shembull, një aktakuze të lëshuar nga prokuroria, një çuarjeje përpara drejtësisë, etj) për qëllim ndjekjeje penale kundër tij ose b) në rast kryerjeje nga i interesuari, gjatë këtij afati, të një vepre të re penale të ndëshkueshme me një dënim të njëjtë ose më të rëndë.
20. Në bazë të nenit 89 § 3, të përfshirë në Kodin Penal me anë të Ligjit nr. 290/1993, të hyrë në fuqi më 1 janar 1994, vazhdimi i një vepre penale (pokračování v trestném činu) nënkuptonte kryerjen e disa veprimeve më vete (jednotlivé dílčí útoky) për të njëjtin qëllim, që i përmbushnin secili elementet e së njëjtës vepër penale dhe që paraqisnin një lidhje midis tyre ngaqë ishin ekzekutuar në një mënyrë të njëjtë ose të ngjashme, ishin të afërta në kohë dhe ndiqnin të njëjtin objekt.
21. Neni 197a § 1 e ndëshkonte me burgim deri në një vit ose me gjobë këdo që kanosej për të vrarë një person tjetër apo për t’i shkaktuar atij një dëmtim trupor a ndonjë dëm tjetër të rëndë, në një mënyrë për ta bërë këtë që të druhej me plot arsye.
22. Paragrafi 1 i nenit 215a, i shtuar më 1 qershor 2004, e ndëshkonte me burgim deri në tre vjet këdo që keqtrajtonte një pjesëtar të familjes së vet ose një person tjetër i cili jetonte nën të njëjtën strehë me të. Paragrafi 2 përcaktonte se autori i kësaj vepre penale dënohej me dy deri në tetë vjet burgim a) nëse veprimet e tij ishin veçanërisht të vrazhda a nëse vepra penale ishte kryer kundër disa personave apo b) nëse veprimet e tij shtriheshin në një kohë të gjatë.
Raporti shpjegues përkatës përcaktonte se përfshirja e dispozitës së mësipërme kishte për qëllim të plotësonte mungesën e legjislacionit të posaçëm në këtë fushë, meqenëse rregullat penale të zbatueshme të së drejtës së zakonshme lejonin të ndëshkoheshin vetëm aktet më të rënda të dhunës fizike në familje (për shembull, veprat penale të parashikuara nga nenet 197a ose 221, domethënë, sipas praktikës gjyqësore, ato që sillnin si pasojë një paaftësi për punë për një kohëzgjatje prej së paku shtatë ditësh, çka ishte e rrallë në rastet e dhunës në familje). Ai shtonte se dispozita e re nuk e vendoste si kusht ekzistencën e akteve të dhunës fizike ose të pasojave në shëndetin e viktimës, dhe se ajo synonte t’i sheshonte ato vështirësi që paraqisnin për prokurorinë veçoritë e dhunës në familje.
Raporti vinte në dukje se nocioni i “keqtrajtimit” nuk ishte i ri, sepse ekzistonte tashmë një vepër penale keqtrajtimi ndaj personit në ngarkim. Sipas interpretimit që i ishte dhënë, kjo vepër e fundit penale analizohej si një trajtim i keq e i vazhduar, i karakterizuar nga një shkallë veçanërisht e lartë egërsie e pakujdesie, dhe i konsideruar prej viktimës si një dëm i rëndë. Nuk bëhej fjalë medoemos për një sjellje sistematike apo që shtrihej në një kohë të gjatë.
23. Neni 221 § 1 përcaktonte se vepra penale e goditjes e plagosjes së qëllimshme dënohej me burgim deri në dy vjet. Paragrafi 2 parashikonte një dënim me burgim nga një deri në pesë vjet sidomos kur autori i veprës penale i shkaktonte viktimës një dëmtim të rëndë trupor, kurse paragrafi 3 një dënim me burgim nga tre deri në tetë vjet kur veprimet e autorit të veprës penale sillnin si pasojë vdekjen.
B. Doktrina dhe jurisprudenca e Gjykatës së Lartë
24. Sipas doktrinës çeke, vazhdimi i një vepre penale, domethënë një vepër penale “e vazhduar” (pokračování v trestném činu), përbën po të njëjtin akt të vetëm; në qoftë se mungon njëri nga kushtet e vendosura në nenin 89 § 3 të Kodit Penal, vepra në fjalë quhet e përsëritur.
25. Sipas jurisprudencës së mirëpërcaktuar të Gjykatës së Lartë (vendimet nr. 3 Tz 155/2000, 3 Tdo 1115/2003, 6 Tdo 1314/2003, 11 Tdo 272/2007, 6 Tdo 181/2012, 11 Tdo 258/2012 dhe 6 Tdo 1553/2012), një vepër penale e vazhduar quhet se ka përfunduar në datën e shfaqjes së saj të fundit. Qeveria citon gjithashtu edhe vendimet e botuara te Përmbledhja e vendimeve dhe mendimeve gjyqësore me nr. 103/1953, 44/1970, 7/1994, si edhe vendimin e Gjykatës së Lartë nr. 5 Tdo 593/2005. Nga kjo jurisprudencë rrjedh se, kur legjislacioni i zbatueshëm ndryshon gjatë një periudhe përgjatë së cilës shtrihet një vepër penale e vazhduar, kjo e fundit quhet se përcaktohet nga ligji i ri, me kusht që të paktën disa nga veprimet në fjalë të jenë kryer pas hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që, në datën e kryerjes së tyre, veprimet e kryera përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji të përbëjnë një vepër penale (vendim nr. Tz 12/93 i Gjykatës së Lartë), qoftë edhe të ndëshkueshme me një dënim më pak të rëndë.
26. Me vendimin e saj nr. 11 Tdo 272/2007 të datës 27 gusht 2007 të marrë në një çështje të ngjashme nga pikëpamja e ngjarjeve, Gjykata e Lartë i shfuqizoi vendimet e dhëna nga juridiksionet më të ulëta të cilat e kishin njohur të akuzuarin fajtor për dy vepra penale (njëra për akte dhune ndaj një individi, në kuptimin e nenit 197a § 1 të Kodit Penal, e kryer përpara datës 1 qershor 2004, kurse tjetra për keqtrajtim ndaj një personi që jetonte nën të njëjtën strehë me të, e kryer pas kësaj date) dhe e kishin dënuar atë me dy vjet e gjashtë muaj burgim, në bashkim të dënimeve. Ajo e gjykoi si të gabuar këtë interpretim të gjykatave të cilat i dallonin veprimet e kryera përpara nga ato të kryera pas hyrjes në fuqi të nenit 215a të Kodit Penal, meqenëse situata përbënte sipas saj një vepër penale të vazhduar. Ajo e la megjithatë në fuqi dënimin, duke deklaruar në veçanti:
“Pikëpyetja qëndron në faktin se a ka mundësi që një vepër penale e vazhduar, pa i shkelur dispozitat e nenit 16 § 1 të Kodit Penal, të përfshijë veprime disa prej të cilave janë kryer përpara e disa të tjera pas hyrjes në fuqi të rregullave të zbatueshme penale (...) Për sa i përket vazhdimit të një vepre penale e cila, nga një pikëpamje materiale, analizohet si i njëjti akt i vetëm (skutek), data e kryerjes së saj quhet se është ajo e më të fundmes nga shfaqjet e saj (e cila formon një unitet me shfaqjet e mëparshme). Vazhdimi i një vepre penale vlerësohet pra me kutin e ligjit të ri, qoftë ky edhe më i rreptë, ashtu siç është në fuqi në atë datë kur përfundon vepra penale, sado që disa nga shfaqjet e saj (cilado qoftë përmasa e tyre) t’i përkasin fushës së zbatimit kohor të rregullave penale të mëparshme më të favorshme për autorin e veprës penale.
Ky konkluzion shkon në drejtimin e jurisprudencës ekzistuese, sipas së cilës një vepër penale e vazhduar quhet se është kryer nën fuqinë e ligjit të ri (të mëvonshëm) me kusht që të paktën disa prej shfaqjeve të saj (domethënë të veprimeve më vete) të kenë ndodhur pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Kjo vepër penale quhet pra se është kryer në tërësinë e saj nën fuqinë e ligjit të ti, të mëvonshëm (...), me kusht që veprimet në fjalë të kenë qenë gjithashtu të dënueshme në bazë të ligjit të mëparshëm.”
27. Për sa i përket zbatimit të nenit 89 § 3 të Kodit Penal në rastin konkret të veprave që kanë të bëjnë me nenet 197a, 215a dhe 221 të të njëjtit kod apo të veprimeve të krahasueshme me to, Qeveria u referohet gjithashtu vendimeve të Gjykatës së Lartë nr. 3 Tdo 1431/2006 të 10 janarit 2007, 6 Tdo 548/2008 të 28 majit 2008 dhe 7 Tdo 415/2013 të 21 majit 2013. Gjykata e Lartë ka pohuar në këto vendime se nocioni i lidhjes së afërsisë kohore nuk ishte i përkufizuar me saktësi dhe se prandaj për çdo rast kërkohej një shqyrtim i përgjithshëm i të gjitha rrethanave të tij dhe i kritereve formale përkatëse të parashtruara në nenin 89 § 3. Ajo ka shtuar se elementet që përbëjnë një vepër penale mund të bashkoheshin në mënyra të ndryshme dhe se kështu nuk kishte se pse vepra penale të ekzekutohej në të njëjtën mënyrë, mjaftonte që veprimet të kishin cenuar të njëjtën pasuri juridike.
III. ELEMENTE PËRKATËSE TË DREJTE TË KRAHASUAR DHE TË DREJTE NDËRKOMBËTARE
A. Terminologji
28. Nga analiza e sistemeve juridike të shteteve kontraktuese del se duhet të bëhet dallim midis dy rastesh të mundshme, ndër të cilët i dyti është ai që duhet pasur parasysh në çështjen në fjalë:
a) një vepër penale “e vazhdueshme” (trvající trestný čin, continuing offence, Dauerdelikt, reato permanente), e cila përkufizohet si një veprim (apo një mosveprim) që shtrihet në njëfarë kohëzgjatjeje, për shembull dhënia ndihmë ose strehimi i pjesëtarëve të një organizate të paligjshme, një situatë kjo të cilën Gjykata e ka shqyrtuar tashmë si në çështjen Ecer e Zeyrek k. Turqisë (nr. 29295/95 e nr. 29363/95, GjEDNj 2001‑II); dhe
b) një vepër penale “e vazhduar” (pokračující trestný čin, continuous offence, Fortgesetzte Handlung, reato continuato), që nënkupton një veprim të përbërë nga disa ngjarje të cilat i bashkojnë të gjitha elementet e së njëjtës vepër penale (ose të një vepre të ngjashme penale) të kryer për njëfarë kohëzgjatjeje, për shembull fshehja e qëllimshme, e vazhdueshme dhe e konsiderueshme e të ardhurave të tatueshme për të cilat bëhej fjalë në çështjen Veeber k. Estonisë (nr. 2) (nr. 45771/99, GjEDNj 2003‑I).
29. Për më tepër, në rast shumësie veprash penale, Shtetet Kontraktuese parashikojnë disa lloje dënimi:
a) dënime të mbledhura ose të njëpasnjëshme (consecutive/cumulative sentence) kur jepet një dënim më vete për secilën vepër penale të kryer dhe të gjitha dënimet mblidhen ose shlyhen njëri pas tjetrit;
b) dënime të bashkuara ose dënime të njëkohshme (úhrnný trest, concurrent sentence) kur autorit të veprave penale i jepet dënimi më i rëndë në përputhje me dispozitën ligjore që ndëshkon veprën më të rëndë ose disa dënime që duhet të shlyhen njëkohësisht;
c) një dënim të përgjithshëm ose të përbashkët (souhrnný trest, aggregate/consolidated/overall sentence), të llogaritur sipas disa metodave që ndryshojnë sipas rastit kur ai jepet për vepra penale të kryera njëkohësisht ose njëra pas tjetrës apo kur ai përfshin edhe dënime të tjera të dhëna më parë; kohëzgjatja e tij luhatet në përgjithësi midis asaj të shumës së të gjitha dënimeve dhe asaj të dënimit më të rëndë.
B. E drejta e krahasuar
30. Nocioni i veprës penale të vazhduar, ashtu siç është kuptuar në këtë çështje, u fut në të drejtën evropiane në Mesjetë me qëllim të njëfarë zbutjeje të rregullit drakonian të së drejtës romake quod criminae tot poenae, që sanksiononte mbledhjen materiale të të gjitha dënimeve. Ai u kuptua në dy mënyra të ndryshme si nga autorët ashtu edhe nga ligjvënësit: sipas një konceptimi subjektiv ose sipas një konceptimi objektiv. Sipas konceptimit subjektiv, një shembull i të cilit gjendej në Itali (neni 81 i Kodit Penal italian të vitit 1930), një vepër penale e vazhduar ishte një grup ngjarjesh të bashkuara nga një qëllim i vetëm, nga një synim i vetëm kriminal. Sipas konceptimit objektiv, të shtjelluar kryesisht në Gjermani (shih, për shembull, nenin 110 të Kodit Penal bavarez të vitit 1813), vepra penale e vazhduar bazohej te qëllimi i përsëritur i autorit të saj për të sulmuar po të njëjtin objekt ose pasuri juridike (Rechtsgut) ose një objekt a pasuri juridike të ngjashme. Për më tepër, fakti që përsëritja e akteve kriminale dhe e qëllimit kriminal lehtësohej nga rrethanat materiale – ndër të tjera, autori i veprës penale, lidhja e afërsisë në kohë dhe natyra e pasurisë juridike të prekur – konsiderohej se e përligjte dhënien e një dënimi më të lehtë. Ky konceptim objektiv gjeti përkrahje në të katër anët e Evropës dhe disa vende evropiane e zbatuan atë në legjislacionin e tyre. Megjithatë, për të mos treguar tepër shpirtbutësi ndaj recidivistëve, disa ligjvënës e kufizuan zbatimin e këtij nocioni vetëm te disa kategori të caktuara veprash penale.
31. Hulumtimi i kryer nga Gjykata për sa u përket të gjitha 47 shteteve anëtare të Këshillit të Evropës e vërteton ekzistencën e një tradite evropiane e cila e sanksionon nocionin e veprës penale të vazhduar sipas konceptimit të tij objektiv. Shumica e gjerë e tyre e kanë futur faktikisht këtë nocion në rendet e tyre juridike, qoftë me anë dispozitash të posaçme ligjore, qoftë me anë të doktrinës dhe/ose të praktikës gjyqësore.
32. Mbi bazën e këtij studimi krahasues, shtetet kontraktuese ndahen në tre grupe të dallueshme:
a) tridhjetë shtete anëtare që e njohin në legjislacionin e tyre nocionin e veprës penale të vazhduar: Andorra (neni 59 i Kodit Penal), Armenia (neni 21 § 2 i Kodit Penal), Belgjika (neni 65 § 1 i Kodit Penal), Bosnjë-Hercegovina (neni 54 § 2 i Kodit Penal), Bullgaria (neni 26 i Kodit Penal), Gjeorgjia (neni 14 i Kodit Penal), Greqia (neni 98 § 1 i Kodit Penal), Hungaria (neni 6 § 2 i Kodit Penal), “ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë” (neni 45 i Kodit Penal), Italia (neni 81 § 2 i Kodit Penal, i cili parashikon një vepër penale të vazhduar stricto sensu), Kroacia (neni 52 i Kodit Penal), Letonia (neni 23 i Kodit Penal), Mali i Zi (neni 49 i Kodit Penal), Malta (neni 18 du i Kodit Penal), Mbretëria e Bashkuar (neni 14.2(2) i Rregullave të Procedurës Penale të vitit 2013), Moldavia (neni 29 i Kodit Penal), Norvegjia (neni 219 i Kodit Penal, vetëm lidhur me dhunën në familje), Polonia (neni 12 i Kodit Penal), Portugalia (neni 30 § 2 i Kodit Penal), Republika Çeke (neni 89 § 3 i Kodit Penal), Rumania (neni 35 i Kodit të ri Penal), San-Marino (neni 50 i Kodit Penal), Serbia (neni 61 i Kodit Penal), Sllovakia (neni 122 § 10 i Kodit Penal), Sllovenia (neni 54 § 1 i Kodit Penal), Spanja (neni 74 i Kodit Penal), Suedia (neni 4a i kapitullit 4 të Kodit Penal), Turqia (neni 43 i Kodit Penal), Ukraina (neni 32 i Kodit Penal) dhe Vendet e Ulëta (neni 56 i Kodit Penal);
b) katërmbëdhjetë shtete anëtare që e njohin nocionin e veprës penale të vazhduar në teorinë e së drejtës dhe në praktikë: Austria, Azerbajxhani, Danimarka, Estonia, Franca, Gjermania, Islanda, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Monako, Rusia, Shqipëria dhe Zvicra; dhe
c) tri shtete anëtare ku ekzistenca e nocionit të veprës penale të vazhduar, ashtu siç kuptohet ai në çështjen në fjalë, nuk vihet në dukje as në legjislacion, as në teorinë e së drejtës: Finlanda, Irlanda dhe Qiproja.
33. Elementet e së drejtës së krahasuar që ka në dorë Gjykata lidhur me ekzistencën e një nocioni të veprës penale të vazhduar (shih paragrafët 31-32 të mësipërm) tregojnë një konvergjencë të fuqishme ndërmjet sistemeve juridike kombëtare të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës në këtë fushë të veçantë. Duket në fakt që ekziston një konsensus i gjerë i dalë nga një traditë e gjatë evropiane (shih paragrafin 30 të mësipërm) për sa u përket karakteristikave të mëposhtme të veprës penale të vazhduar, ku uniteti juridik i ngjarjeve në diskutim përcaktohet si nga elemente objektive (actus reus) ashtu edhe nga elemente subjektive (mens rea):
a) autori duhet të kryejë një numër të caktuar veprash kriminale identike, të ngjashme ose të ndryshme kundër së njëjtës pasuri juridike (legally protected interest, Rechtsgut, bene giuridico) dhe, shpeshherë, ai dhe viktima duhet që në secilin rast të jenë të njëjtët;
b) duhet të ketë së paku një ngjashmëri të mënyrave të veprimit në ngjarjet e ndryshme për të cilat bëhet fjalë (modus operandi) ose disa rrethana të tjera materiale duhet t’i bashkojnë këto të fundit si një e tërë (actus reus);
c) duhet të ekzistojë ndërmjet secilës nga ngjarjet një lidhje në kohë, ku kjo e fundit duhet të vlerësohet duke pasur parasysh rrethanat e secilit rast;
d) secila nga ngjarjet duhet të jetë kryer për të njëjtin qëllim ose të njëjtin synim kriminal të ripërsëritur në secilin rast (mens rea), sado që të mos duhet që të jenë projektuar të gjitha ab initio;
e) secila nga ngjarjet duhet të ketë, në mënyrë të qartë ose të nënkuptuar, të gjitha elementet që përbëjnë veprën ose veprat penale në fjalë.
34. Ka gjithashtu një konvergjencë pikëpamjesh rreth parimit sipas të cilit ligji në fuqi në datën e përfundimit të veprimtarisë kriminale të vazhduar gjen zbatim për ngjarjet e ndodhura përpara këtij ligji, me kusht që këto të fundit t’i përmbushin kushtet e ligjit të ri, e në shumicën e vendeve edhe ato të ligjit të mëparshëm. Në shumicën e gjerë të shteteve anëtare, kështu veprohet edhe kur ligji i ri është më i rreptë, meqenëse arsyetohet se duke këmbëngulur në veprimet e tij pas ndryshimit të ligjit, autori i veprës penale ka pranuar në mënyrë të heshtur që t’i jepet një dënim më i rëndë.
35. Madje, në të gjitha shtetet anëtare, autori i një vepre penale të vazhduar dënohet me një dënim të vetëm. Kur ngjarjet që e përbëjnë një vepër penale të vazhduar përcaktohen nga disa dispozita, atëherë zbatohet ajo që parashikon dënimin më të rëndë.
36. Së fundi, dënimi i dhënë për një vepër penale të vazhduar është përherë më i butë sesa dënimet e mbledhura, të njëpasnjëshme ose të njëkohshme të dhëna për veprat penale të shumëfishta.
37. Duke pasur parasysh çka paraprin, Gjykata vë re se nocioni i veprës penale të vazhduar është një zgjidhje legjislative dhe gjyqësore e gjithëpranuar, e cila jo vetëm që lejon të ndëshkohen disa veprime të veçanta, por synon pikërisht që të zbatohen rregulla më të buta për caktim të dënimeve (shih, për krahasim, vendimin Maktouf e Damjanović k. Bosnjë-Hercegovinës [DhM], nr. 2312/08 e nr. 34179/08, § 70, GjEDNj 2013 (pjesë të zgjedhura)). Mund të thuhet në fakt se ky nocion paraqet dy përfitime për autorin e veprës penale:
a) atij i jepet një dënim i vetëm dhe jo disa dënime të mbledhura, të njëpasnjëshme ose të njëkohshme për disa vepra penale, dhe
b) në rast miratimi të një ligji të ri, duhet që elementet përbërëse të veprës penale ashtu siç përcaktohet ajo nga ligji i ri të jenë mbledhur bashkë që në fillimin e veprimeve, domethënë edhe për ngjarjet përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji.
C. E drejta ndërkombëtare
1. Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, e miratuar nga Komiteti i Ministrave më 7 prill 2011 dhe e hyrë në fuqi më 1 gusht 2014
38. Kjo Konventë, të cilën Republika Çeke nuk e ka ratifikuar, i detyron shtetet që janë palë e saj të bëjnë gjithçka për të luftuar kundër akteve të dhunës së ushtruar ndaj grave si edhe të marrin masa për t’i parandaluar ato, për të mbrojtur viktimat e saj e për të ndjekur penalisht autorët. Ajo përcakton veçanërisht si më poshtë:
Neni 46 – Rrethanat rënduese
“Palët marrin ato masa legjislative ose të tjera që nevojiten me qëllim që rrethanat e mëposhtme, edhe në qoftë se këto nuk u përkasin tashmë elementeve përbërëse të veprës penale, të jetë e mundur që, në përputhje me dispozitat përkatëse të së drejtës së tyre të brendshme, të merren parasysh si rrethana rënduese gjatë caktimit të dënimeve lidhur me veprat penale të përcaktuara sipas kësaj Konvente:
(...)
b vepra penale, ose veprat penale të ngjashme, janë kryer në mënyrë të përsëritur;
(...)”
39. Paragrafi 237 i raportit shpjegues të këtij traktati vë në dukje: “(...) rrethana rënduese e përmendur në pikën b [të nenit 46] zbatohet për veprat penale të kryera në mënyrë të përsëritur. Ajo i përfshin të gjitha veprat penale të përcaktuara nga kjo konventë, si edhe të gjitha veprat penale të bashkëlidhura të kryera nga i njëjti person më shumë se një herë gjatë njëfarë periudhe. Hartuesit kanë vendosur të nënvizojnë kështu efektin veçanërisht shkatërrimtar për viktimën që i nënshtrohet në mënyrë të përsëritur të njëjtit lloj aktesh kriminale. Meqenëse kjo rrethanë është e shpeshtë në situatat e dhunës në familje, hartuesit kanë besuar se është e arsyeshme të kërkohet që gjykatat të kenë mundësinë për të dhënë dënime më të rënda. Është e udhës të shënohet se ngjarjet e veprave penale me natyrë analoge të cilat kanë çuar në dënimin e të njëjtit autor nuk mund të konsiderohen si një akt i përsëritur në kuptimin e pikës b, por përbëjnë një rrethanë rënduese specifike në bazë të pikës i.”
2. Jurisprudenca e Gjykatës së Bashkimit Evropian
40. Në vendimin që ka dhënë në çështjen Trelleborg Industrie SAS e Trelleborg AB k. Komisionit Evropian (çështje të bashkuara T-147/09 e T‑148/09), Gjykata e Bashkimit Evropian ka trajtuar dallimin ndërmjet veprave penale “të vazhdueshme” dhe veprave penale “të përsëritura”.
LIGJI
RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 7 TË KONVENTËS
41. Paditësi e quan veten viktimë të një zbatimi prapaveprues të Kodit Penal, duke shpjeguar se ai është dënuar për një vepër penale të vazhduar keqtrajtimi ndaj një personi që banon nën të njëjtën strehë me të, e cila sipas gjykatave përfshinte edhe veprimet e tij përpara futjes së kësaj vepre penale në ligj. Ai çmon përveç kësaj se gjykatat nuk kanë hulumtuar ashtu siç duhet nëse veprimet e tij të mëparshme paskan përbërë ndonjë vepër penale në vështrim të ligjit të vjetër. Ai i referohet për këtë qëllim nenit 7 të Konventës, i cili është i formuluar kështu:
“Askush nuk mund të dënohet për një veprim ose një mosveprim që, në çastin kur është kryer, nuk përbënte vepër penale sipas së drejtës së brendshme ose ndërkombëtare. Po ashtu, nuk mund të jepet asnjë dënim më i rëndë sesa ai që ka qenë i zbatueshëm në çastin kur është kryer vepra.
2. Ky nen nuk do të cenojë gjykimin dhe dënimin e një personi fajtor për një veprim ose një mosveprim që, në çastin kur është kryer, quhej vepër penale sipas parimeve të përgjithshme të së drejtës të njohura nga kombet e qytetëruara.”
42. Qeveria nuk e pranon këtë tezë.
A. Vendimi i Dhomës
43. Në vendimin e saj të 18 prillit 2013, Dhoma ka dalë në përfundimin se nuk kishte shkelje të nenit 7 të Konventës. Ajo ka çmuar se, nga këndvështrimi i së drejtës çeke, shtrirja e zbatimit të Kodit Penal, në versionin e tij të pas 1 janarit 2004, edhe te vepra të kryera nga paditësi përpara kësaj date nuk përbënte ndonjë zbatim prapaveprues të ligjit penal. Ajo ka shënuar gjithashtu se interpretimi i nocionit të përgjithshëm të vazhdimit të të një vepre penale, të përkufizuar nga neni 89 § 3 i Kodit Penal, mbështetej mbi një jurisprudencë të qartë e të përhershme të Gjykatës së Lartë, të zhvilluar përpara datës në të cilën i interesuari e kishte goditur për herë të parë bashkëshorten e tij. Në lidhje me ankimin e bërë nga paditësi rreth interpretimit të zgjedhur nga gjykatat në çështjen në fjalë, i cili sipas tij kishte sjellë konkretisht si pasojë që ligjit t’i jepej një zbatim prapaveprues, Dhoma ka gjykuar se ky interpretim në vetvete nuk ishte i paarsyeshëm përderisa, si përkufizim, një vepër penale e vazhduar shtrihej në njëfarë periudhe dhe nuk ishte diçka arbitrare që të mendohej se ajo përfundonte në datën se shfaqjes së saj të fundit. Ajo ka shënuar për më tepër se, ashtu siç e kishin vënë në dukje autoritetet çeke, veprimet e paditësit kishin qenë në çdo çast të dënueshme penalisht. Në këto kushte, ajo ka gjykuar se dispozitat ligjore përkatëse, të bashkuara me jurisprudencën interpretuese, ishin të tilla që ia mundësonin paditësit parashikimin e pasojave të akteve të tij dhe ndreqjen e sjelljes së vet në mënyrë të përshtatshme.
B. Tezat e palëve përpara Dhomës së Madhe
1. Paditësi
44. Ndonëse duke e pranuar që interpretimi i nenit 89 § 3 të Kodit Penal nga juridiksionet e brendshme ishte i parashikueshëm dhe i pranuar në përgjithësi, paditësi çmon se kjo dispozitë nuk qenka dashur të zbatohej në rastin e tij sepse, sipas tij, nuk ishin mbledhur kushtet për zbatimin e saj. Ai mbron mendimin se autoritetet e brendshme nuk qenka dashur t’i cilësonin aktet e tij si vepër penale e vazhduar, meqenëse veprimet dhunuese të kryera prej tij nuk qenkan bërë me të njëjtin qëllim e nuk paskan qenë të afërta në kohë, përderisa paskan qenë të ndara nga një interval prej disa vitesh. Përveç kësaj, gjatë procesit në shkallë të parë, dy nga këto vepra paskan qenë të parashkruara tashmë dhe nuk mund të shkaktonin kështu ndjekje penale.
45. Paditësi vë në dukje përveç kësaj se juridiksionet e brendshme nuk kanë vërtetuar asnjëherë që ishin mbledhur të gjitha elementet përbërëse të veprave penale të përcaktuara nga Kodi Penal ashtu siç ishte ai në fuqi deri më 1 qershor 2004 (akte dhune kundër një individi ose një grupi individësh, në kuptimin e nenit 197a, ose goditje dhe plagosje, në kuptimin e nenit 221). Ai është i mendimit se veprimet e tij ishin të dënueshme jo si vepra penale, por si kundërvajtje të thjeshta. Ai qenka gjetur kështu fajtor, në shkelje të nenit 7 të Konventës, për veprime që nuk përbënin një vepër penale sipas së drejtës së brendshme ose ndërkombëtare në fuqi në momentin e kryerjes së tyre.
46. Paditësi mbron së fundmi mendimin se ai nuk gëzonte garanci të mjaftueshme kundër caktimit të një dënimi më të rreptë sesa ai që ishte i zbatueshëm në momentin e kryerjes së veprës. Ai çmon përkundrazi se do të kishte qenë e pamundur që atij t’i jepej një dënim aq i rreptë sikur secila nga veprat e goditjes të ishte gjykuar veçmas.
2. Qeveria
47. Qeveria vë në dukje se nenet 89 § 3 dhe 215a të Kodit Penal janë futur që të dy në rendin juridik çek shumë kohë më parë sesa paditësi t’u jepte fund veprimeve të tij në shkurt 2006. Ajo shton se në kohën e ngjarjeve ekzistonte gjithashtu edhe një jurisprudencë shumë e pasur lidhur me veprat penale të vazhduara dhe me interpretimin e nenit 89 § 3 të Kodit Penal, i cili i përgjigjej sipas saj një logjike të njëjtë me atë të ndjekur në çështjen në fjalë. Qenka pra e vërtetuar se veprimet në fjalë duhej të shiheshin si një vepër e vetme penale e përcaktuar nga ligji në fuqi në datën e përfundimit të tyre. Për më tepër, futja e nenit 215a të Kodit Penal, më 1 qershor 2004, e paska bërë edhe më të qartë e më të parashikueshme mundësinë e ngarkimit të paditësit me përgjegjësi penale. Në fakt, neni i ri 215a i Kodit Penal e paska përkufizuar sjelljen e dënueshme të parashikuar me më shumë hollësi sesa nenet 197a dhe 221 të të njëjtit kod. Meqenëse paditësi i ka vazhduar prapësitë e tij pas datës 1 qershor 2004, Qeveria çmon se ai kishte mundësi dhe duhej ta priste që të ngarkohej me përgjegjësi penale mbi bazën e nenit 215a të Kodit Penal për të gjitha veprimet e tij, duke përfshirë edhe ato përpara ndryshimit të ligjit.
48. Qeveria shton se, në kundërshtim me mendimin që mbron paditësi, kushti i ekzistencës së një lidhjeje afërsie në kohë ndërmjet veprimeve dhunuese që e përbëjnë veprën penale të vazhduar përmbushej plotësisht në çështjen në fjalë. Ajo e pranon se afërsia në kohë, ashtu siç përkufizohet ajo në praktikën e brendshme gjyqësore, vlerësohet në përgjithësi me ditë, me javë ose me muaj. Megjithatë, nuk qenka caktuar asnjë kufi maksimal dhe ky nocion paska lejuar kështu patjetër njëfarë lirie vlerësimi sipas natyrës së veprës penale për të cilën bëhet fjalë. Nga elementet e dosjes dhe nga arsyetimi i juridiksioneve të brendshme dalka që tre incidentet e datave 24 qershor 2000, 17 korrik 2003 e 8 shkurt 2006 janë përcaktuar si më të dhunshmet. Gjykatat paskan thënë përherë se veprimet e paditësit ishin shtrirë në një periudhë disavjeçare, se ato kishin pasur shkallë të ndryshme serioziteti e kishin qenë me karakter të përsëritur, ku disa kishin ndodhur në një interval prej disa javësh pas të tjerave. Përveç kësaj, aktakuza si edhe vendimet e brendshme gjyqësore paskan vënë qartazi në dukje se paditësi gjykohej për veprimet e tij si përpara ashtu edhe pas hyrjes në fuqi të nenit 215a, të cilat nuk paska pasur sesi të ndaheshin nga njëri-tjetri. Duke pasur parasysh këtë koherencë në vlerësimin e fakteve nga prokuroria dhe nga gjyqtarët, qenka respektuar kështu haptazi kërkesa për siguri juridike (Qeveria citon a contrario vendimin Ecer e Zeyrek k. Turqisë, nr. 29295/95 e nr. 29363/95, §§ 33-35, GjEDNj 2001‑II). Nga vetë dënimi dalka në mënyrë të qartë që gjykatat kanë çmuar gjithashtu se veprimet e paditësit, të marra si një e tërë, i mblidhnin elementet e veprës penale të përcaktuar nga neni 215a i Kodit Penal.
49. Prandaj, Qeveria del në përfundimin se ishte përmbushur kërkesa e një baze ligjore mjaft të qartë e të parashikueshme, se ligji penal nuk ishte zbatuar në mënyrë prapavepruese dhe se paditësit nuk i ishte dhënë ndonjë dënim më i rëndë sesa në bazë të ligjit të vjetër. Në lidhje me këtë, ajo është e mendimit se, sikur në interpretimin që jepnin për këtë gjykatat çeke të ishte dashur të hiqej dorë nga nocioni i veprës penale të vazhduar dhe të shqyrtoheshin veç e veç veprimet e paditësit përpara datës 1 qershor 2004 dhe ato pas kësaj date, atëherë masa e dënimit që ishte rrezik t’i jepej këtij të fundit do të kishte qenë ose e njëjtë me atë të dhënë efektivisht, ose më e rëndë. Qeveria shpjegon se, sikur të kishte ndodhur ashtu, paditësi do të ishte gjykuar për disa vepra penale të cilat kërkonin, në bazë të bashkimit të dënimeve, një dënim të vetëm që do të ishte caktuar në përputhje me atë rregull që përcakton veprën më të rëndë penale, në këtë rast nenin 215a të Kodit Penal. Për më tepër, sipas saj, ekzistenca e disa veprave penale dhe kohëzgjatja e veprimeve në fjalë do të kishin përbërë rrethana rënduese.
C. Vlerësimi i Gjykatës
1. Parime të përgjithshme
50. Gjykata rikujton se, në vendimin e saj Del Rio Prada k. Spanjës [DhM] (nr. 42750/09, GjEDNj 2013), i cili është vendimi më i fundit i Dhomës së Madhe lidhur me nenin 7 të Konventës, ajo ka parashtruar parimet e përgjithshme të mëposhtme, që janë me rëndësi në çështjen në fjalë:
“a) Nullum crimen, nulla poena sine lege
77. Garancia që sanksionon neni 7, element thelbësor i mbisundimit të së drejtës, zë një vend parësor në sistemin mbrojtës të Konventës, siç e dëshmon fakti se neni 15 nuk lejon asnjë shmangie nga detyrimi, qoftë edhe në kohë lufte apo rreziku tjetër publik që i kanoset jetës së kombit. Ashtu siç rrjedh edhe prej objektit e qëllimit të tij, ai duhet të interpretohet e zbatohet në mënyrë që të sigurojë një mbrojtje efektive kundër ndjekjeve, dënimeve dhe sanksioneve arbitrare (S.W. k. Mbretërisë së Bashkuar dhe C.R. k. Mbretërisë së Bashkuar, 22 nëntor 1995, përkatësisht § 34, seria A nr. 335-B, e § 32, seria A nr. 335-C, dhe Kafkaris, i cituar më lart, § 137).
78. Neni 7 i Konventës nuk kufizohet vetëm me ndalimin e zbatimit prapaveprues të së drejtës penale në dëm të të akuzuarit (shih, për sa i përket zbatimit prapaveprues të një dënimi, Welch k. Mbretërisë së Bashkuar, 9 shkurt 1995, § 36, seria A nr. 307‑A, Jamil k. Francës, 8 qershor 1995, § 35, seria A nr. 317‑B, Ecer e Zeyrek k. Turqisë, nr. 29295/95 e nr. 29363/95, § 36, GjEDNj 2001‑II, dhe Mihai Toma k. Rumanisë, nr. 1051/06, §§ 26-31, 24 janar 2012). Ai sanksionon gjithashtu, në mënyrë më të përgjithshme, parimin e ligjshmërisë së krimeve dhe të dënimeve – “nullum crimen, nulla poena sine lege” – (Kokkinakis k. Greqisë, 25 mai 1993, § 52, seria A nr. 260‑A). Ai e ndalon në veçanti që të shtrihet fusha e zbatimit të veprave penale ekzistuese edhe për veprime që, më parë, nuk përbënin vepra penale dhe, përveç kësaj, urdhëron që ligji penal të mos zbatohet në mënyrë ekstensive në dëm të të akuzuarit, për shembull për analogji (Coëme me të tjerë k. Belgjikës, nr. 32492/96, 32547/96, 32548/96, 33209/96 e 33210/96, § 145, GjEDNj 2000-VII; si shembull zbatimi për analogji të një dënimi, shih vendimin Başkaya e Okçuoğlu k. Turqisë [DhM], nr. 23536/94 e nr. 24408/94, §§ 42-43, GjEDNj 1999‑IV).
79. Për rrjedhojë, ligji duhet t’i përkufizojë në mënyrë të qartë veprat penale dhe dënimet që i ndëshkojnë ato. Ky kusht quhet i përmbushur atëherë kur çdo subjekt që mund t’i nënshtrohet gjykimit e ka mundësinë që ta dijë, duke u nisur nga formulimi i dispozitës përkatëse dhe, në rast nevoje, me ndihmën e interpretimit që i jepet asaj nga gjykatat ose pasi të jetë drejtuar për këshillimet e duhura ligjore, se cilat veprime e mosveprime e ngarkojnë atë me përgjegjësi ligjore dhe se çfarë dënimi rrezikon t’i jepet për atë akuzë (Cantoni k. Francës, 15 nëntor 1996, § 29, Përmbledhje e vendimeve 1996‑V, dhe Kafkaris, i cituar më lart, § 140).
80. Detyra që i bie Gjykatës është pra, konkretisht, që të sigurohet se, në çastin kur një i akuzuar e ka kryer aktin që ka çuar te ndjekja penale dhe dënimi, ekzistonte një dispozitë ligjore që e bënte atë akt të dënueshëm dhe se dënimi i dhënë nuk i ka tejkaluar kufijtë e caktuar nga ajo dispozitë (Coëme me të tjerë, i cituar më lart, § 145, dhe Achour k. Francës [DhM], nr. 67335/01, § 43, GjEDNj 2006‑IV).
b) Nocioni “dënim” dhe masa e dënimit
(...)
c) Parashikueshmëria e ligjit penal
91. Nocioni “e drejtë” (angl. “law”, fr. “droit”) i përdorur në nenin 7 përkon me atë “ligj” që figuron në nene të tjera të Konventës; ai përfshin të drejtën me prejardhje qoftë nga legjislacioni, qoftë nga jurisprudenca, dhe nënkupton disa kushte cilësore, ndër të tjera ato të mundësisë së qasjes dhe të parashikueshmërisë (Kokkinakis, i cituar më lart, §§ 40-41, Cantoni, i cituar më lart, § 29, Coëme me të tjerë, i cituar më lart, § 145, dhe E.K. k. Turqisë, nr. 28496/95, § 51, 7 shkurt 2002). Këto kushte cilësore duhet të përmbushen si për përkufizimin e një vepre penale ashtu edhe për dënimin që nënkupton kjo e fundit.
92. Për vetë arsyen e karakterit të përgjithshëm të ligjeve, formulimi i këtyre të fundit nuk mund të paraqesë një përpikëri absolute. Një nga teknikat tipe të përcaktimit të rregullave është që të përdoren më shumë kategori të përgjithshme sesa lista shteruese. Prandaj shumë ligje detyrohen të përdorin formulime pak a shumë të vagullta, interpretimi dhe zbatimi i të cilave varen nga praktika (Kokkinakis, i cituar më lart, § 40, dhe Cantoni, i cituar më lart, § 31). Për këtë arsye, në cilindo sistem juridik, sado i qartë që të jetë formulimi i një dispozite ligjore, duke përfshirë edhe një dispozitë të së drejtës penale, përherë ka në mënyrë të pashmangshme një element interpretimi gjyqësor. Gjithmonë do të duhet të sqarohen pikat e dyshimta e të bëhet një përshtatje me ndryshimet e situatës. Përveç kësaj, siguria, ndonëse fort e dëshiruar, shoqërohet ngandonjëherë me një ngurtësi të tepruar; mirëpo, e drejta duhet të dijë t’u përshtatet ndryshimeve të situatës (Kafkaris, i cituar më lart, § 141).
93. Funksioni vendimmarrës që u besohet juridiksioneve shërben pikërisht për të davaritur ato dyshime që mund të mbeten për sa i përket interpretimit të normave (po aty). Madje, në traditën juridike të shteteve palë të Konventës ka hedhur tashmë rrënjë të thella mendimi se jurisprudenca, si burim i së drejtës, jep doemos ndihmesë për zhvillimin progresiv të së drejtës penale (Kruslin k. Francës, 24 prill 1990, § 29, seria A nr. 176‑A). Neni 7 i Konventës nuk mund të interpretohet sikur e përjashton sqarimin shkallë-shkallë të rregullave të përgjegjësisë penale përmes interpretimit gjyqësor nga njëra çështje në tjetrën, me kusht që rezultati të jetë koherent me thelbin e veprës penale dhe i parashikueshëm në mënyrë të arsyeshme (S.W. e C.R. k. Mbretërisë së Bashkuar, të cituar më lart, përkatësisht § 36 e § 34, Streletz, Kessler e Krenz, i cituar më lart, § 50, K.-H.W. k. Gjermanisë [DhM], nr. 37201/97, § 85, GjEDNj 2001‑II, Korbely k. Hungarisë [DhM], nr. 9174/02, § 71, GjEDNj 2008, dhe Kononov k. Letonisë [DhM], nr. 36376/04, § 185, GjEDNj 2010). Mungesa e një interpretimi jurisprudence me mundësi qasjeje dhe të parashikueshëm në mënyrë të arsyeshme mund të çojë madje në një konstatim shkeljeje të nenit 7 ndaj një të akuzuari (shih, për sa u përket elementeve përbërëse të veprës penale, Pessino k. Francës, nr. 40403/02, §§ 35-36, 10 tetor 2006, dhe Dragotoniu e Militaru-Pidhorni k. Rumanisë, nr. 77193/01 e nr. 77196/01, §§ 43-44, 24 maj 2007; shih, për sa i përket dënimit, Alimuçaj k. Shqipërisë, nr. 20134/05, §§ 154‑162, 7 shkurt 2012). Përndryshe, objekti dhe qëllimi i kësaj dispozite – e cila kërkon që askush të mos u nënshtrohet ndjekjeve, dënimeve ose sanksioneve arbitrare – as që do të përfilleshin fare.”
51. Gjykata rikujton përveç kësaj se ajo nuk ka për detyrë që t’u zërë vendin juridiksioneve të brendshme në vlerësimin e cilësimin juridik të ngjarjeve, mjafton që këta të fundit të mbështeten te një analizë e arsyeshme e elementeve të dosjes (shih, mutatis mutandis, Florin Ionescu k. Rumanisë, nr. 24916/05, § 59, 24 maj 2011). Më në përgjithësi, Gjykata rikujton se u takon në radhë të parë autoriteteve kombëtare, sidomos gjykatave, që ta interpretojnë legjislacionin e brendshëm. Roli i saj kufizohet pra vetëm te verifikimi i pajtueshmërisë së efekteve të një interpretimi të tillë me Konventën (Waite e Kennedy k. Gjermanisë [DhM], nr. 26083/94, § 54, GjEDNj 1999-I, Korbely k. Hungarisë, [DhM], nr. 9174/02, §§ 72-73, GjEDNj 2008, dhe Kononov k. Letonisë [DhM], nr. 36376/04, § 197, GjEDNj 2010).
52. Sidoqoftë, Gjykata duhet të gëzojë një fuqi kontrolli më të gjerë sa herë që e drejta e mbrojtur nga një dispozitë e Konventës, në rastin konkret neni 7, kërkon ekzistencën e një baze ligjore për dhënien e në dënimi ose të një mase ndëshkimore. Neni 7 i kërkon Gjykatës që ajo të hulumtojë nëse dënimi i paditësit mbështetej në atë kohë në një bazë ligjore. Në veçanti, ajo duhet të sigurohet që rezultati ku kanë dalë juridiksionet e brendshme kompetente ishte në përputhje me nenin 7 të Konventës. Neni 7 do të bëhej pa objekt në qoftë se Gjykatës i jepet një fuqi më pak e gjerë kontrolli (shih Kononov, i cituar më lart, § 198).
53. Me një fjalë, Gjykata duhet të hulumtojë nëse dënimi i paditësit mbështetej mbi një bazë me qartësi të mjaftueshme (shih Kononov, i cituar më lart, § 199).
2. Zbatimi i parimeve të sipërpërmendura në çështjen në fjalë
54. Gjykata vë re se teza e paditësit qëndron në thelb te mbrojtja e mendimit se, së pari, veprimet e tij para 1 qershorit 2004 nuk ishin të dënueshme në bazë të ligjit penal të zbatueshëm në datën e kryerjes së tyre meqenëse, sipas tij, ato nuk i mblidhnin elementet përbërëse të veprave penale të përmendura nga autoritetet, konkretisht ato të parashikuara nga nenet 197a dhe/ose 221 të Kodit Penal, e mund të përbënin vetëm kundërvajtje, dhe, së dyti, veprimet e ndryshme dhunuese të kryera prej tij nuk mund të cilësoheshin si vepër penale e vazhduar sepse, sipas tij, asgjë nuk e provonte realisht që ato të ishin kryer për të njëjtin qëllim apo të kishin qenë të afërta në kohë.
55. Mirëpo, nga kufizimet e rikujtuara në paragrafët 51-52 të mësipërm rrjedh se Gjykata nuk ka përse të shprehet rreth përgjegjësisë penale individuale të paditësit, pikë kjo që u përkiste në radhë të parë juridiksioneve të brendshme. Në fakt, u takonte këtyre të fundit që të bënin konstatimet e fakteve dhe të vlerësonin qëllimin e paditësit mbi bazën e elementeve të dosjes përpara se të vendosnin, në bazë të së drejtës së brendshme ashtu siç interpretohet ajo nga praktika gjyqësore , nëse kishte pasur vend për t’i cilësuar veprimet e të interesuarit si vepër penale të vazhduar, si vepër penale të vazhdueshme apo si bashkim a përsëritje veprash penale. Kështu që Gjykata nuk ka përse të thotë nëse veprimet e kryera nga paditësi përpara 1 qershorit 2004 i mblidhnin elementet përbërës të veprave penale të përcaktuara nga dispozitat e lartpërmendura (shih, mutatis mutandis, Lehideux e Isorni k. Francës, 23 shtator 1998, § 50, Përmbledhje e vendimeve 1998‑VII) as nëse veprimet në fjalë duhej të cilësoheshin si vepër penale e vazhduar në vështrim të së drejtës së brendshme.
56. Në të vërtetë, në vështrim të nenit 7 § 1, Gjykata ka një funksion të dyfishtë në çështjen në fjalë. Së pari, ajo duhet të hulumtojë nëse, në datën kur janë kryer, veprimet e paditësit, duke përfshirë edhe ato përpara datës së hyrjes në fuqi të nenit 215a të Kodit Penal më 1 qershor 2004, përbënin ndonjë vepër penale të përcaktuar në mënyrë mjaft të parashikueshme nga e drejta e brendshme (Streletz, Kessler e Krenz k. Gjermanisë [DhM], nr. 34044/96, 35532/97 e 44801/98, § 51, GjEDNj 2001‑II, Veeber k. Estonisë (nr. 2), i cituar më lart, § 33, dhe Korbely, i cituar më lart, §§ 72-73), meqenëse këtu nuk shtrohet pika lidhur me mundësinë e qasjes. Së dyti, ajo duhet të thotë nëse zbatimi që i është bërë kësaj dispozite nga juridiksionet kombëtare, për rrjedhojë të të cilit janë përfshirë edhe veprimet e kryera nga paditësi përpara datës 1 qershor 2004, sillte si pasojë për këtë të fundit një mundësi reale që atij t’i jepej, në shkelje të nenit 7 të Konventës, një dënim më i rreptë (shih, mutatis mutandis, Maktouf e Damjanović, të cituar më lart, § 70).
a) A ishte e përkufizuar vepra penale në mënyrë mjaft të parashikueshme?
57. Gjykatës i është kërkuar tashmë që të shqyrtojë në themel dy çështje ku paditësi ishte dënuar për një vepër penale të vazhduar ose të vazhdueshme, mirëpo pa u bërë dallim ndërmjet këtyre dy veprave (shih Ecer e Zeyrek, dhe Veeber (nr. 2), që të dyja të cituara në paragrafin 28 të mësipërm). Në vendimet e saj rreth çështjeve të sipërpërmendura, ajo ka vërejtur se, si përkufizim, vepra të tilla penale kanë të bëjnë me veprime që shtrihen në njëfarë periudhe (shih Veeber (nr. 2), të cituar më lart, § 35). Ajo ka shtuar se, kur një person akuzohet për një vepër penale “të vazhdueshme”, parimi i sigurisë juridike kërkon që në aktakuzë të përmenden në mënyrë të qartë ato veprime që e përbëjnë veprën dhe të cilat e ngarkojnë me përgjegjësi penale të interesuarin. Përveç kësaj, edhe vendimi i dhënë nga juridiksioni i brendshëm duhet ta saktësojë mirë se njohja përfundimtare e fajësisë si edhe masa ndëshkimore mbështeten në konstatimin se akuza e ka vërtetuar ekzistencën e elementeve përbërëse të një vepre penale “të vazhduar” (shih Ecer e Zeyrek, të cituar më lart, § 33).
58. Gjykata rikujton gjithashtu se, në çdo sistem juridik, u takon gjykatave të brendshme që t’i interpretojnë rregullat e së drejtës penale materiale në mënyrë të tillë që të përcaktojnë, në lidhje me rrjedhën e secilës vepër penale, datën se kur, nëse janë mbledhur elementet e saj përbërëse, ka pasur kryerje të një veprimi të dënueshëm. Këtu është fjala për një element interpretimi gjyqësor të cilit Konventa nuk ka sesi t’i nxjerrë pengesë, mjafton që rezultatet ku mbërrijnë juridiksionet e brendshme të jenë të parashikueshme në mënyrë të arsyeshme në kuptimin e jurisprudencës së Gjykatës (shih Previti k. Italisë (vend. pran.), nr. 45291/06, § 283, 8 dhjetor 2009).
59. Duke u kthyer te rrethanat e veçanta të kësaj çështjeje, Gjykata vë në dukje që në fillim se paditësi është njohur fajtor për veprimet që i viheshin në ngarkim, domethënë se, të paktën gjatë periudhës së përfshirë midis vitit 2000 dhe 8 shkurtit 2006, e ka keqtrajtuar bashkëshorten e tij fizikisht e psikologjikisht, në mënyrë të përsëritur, kur ishte në gjendje të dehur (për më shumë hollësi, shih paragrafin 10 të mësipërm), duke i shkaktuar asaj disa plagë të rënda dhe duke e detyruar këtë të fundit të kërkonte mjekime më 26 qershor 2000, më 18 korrik 2003 dhe më 8 shkurt 2006 (shih paragrafin 10 të mësipërm). Në vendimin e saj të datës 21 shkurt 2008, Gjykata e Lartë e la në fuqi cilësimin juridik të zgjedhur nga juridiksionet e brendshme për keqtrajtim ndaj një personi që banonte nën të njëjtën strehë, në kuptimin e nenit 215a të Kodit Penal, ashtu siç ishte ky në fuqi duke nisur nga 1 qershori 2004, dhe ajo e zbatoi këtë dispozitë edhe për dhunimet e ushtruara nga paditësi ndaj bashkëshortes së tij përpara kësaj date. Për këtë qëllim, ajo iu referua vendimit të saj nr. Tzn 12/93 të 8 dhjetorit 1993, i cili e analizonte një vepër penale të vazhduar si një akt të vetëm dhe saktësonte se cilësimi i saj penal duhej të vlerësohej me kutin e ligjit në fuqi në datën e shfaqjes së saj të fundit. Ajo çmoi kështu se neni 215a zbatohej edhe për veprimet e mëparshme dhunuese, mjafton që këto të dënoheshin penalisht nga ligji i mëparshëm, dhe gjykoi se veprimet që kishte kryer paditësi përpara ndryshimit të bërë më 1 qershor 2004 përbënin të paktën një vepër penale të parashikuar nga nenet 197a ose 221 § 1 të Kodit Penal. Ajo, duke pasur parasysh dosjen, doli gjithashtu në përfundimin se veprimet e të akuzuarit i bashkonin të gjitha elementet ligjore të veprës penale të keqtrajtimit ndaj një personi që jetonte nën të njëjtën strehë në kuptimin e nenit 215a §§ 1 e 2 b) të Kodit Penal. Meqenëse vepra penale në fjalë ishte kryer së paku gjatë periudhës së përfshirë ndërmjet vitit 2000 dhe 8 shkurtit 2006, Gjykata e Lartë shtoi se përmbusheshin kushtet materiale të përcaktuara në paragrafin 2b) të nenit 215a, të cilat jepnin mundësi për ta cilësuar atë me rrethana rënduese (shih paragrafin 13 të mësipërm).
60. Gjykata shënon nga ana tjetër se nga arsyetimi i Gjykatës së Lartë i paraqitur më sipër, i cili i referohej vendimit të datës 8 dhjetor 1993, del në mënyrë të nënkuptuar se interpretimi i bërë prej këtij juridiksioni i merrte mirë parasysh rregullat e veçanta të përcaktuara në nenin 89 § 3, i cili e kishte futur nocionin e vazhdimit të një vepre penale, me prejardhje nga jurisprudenca, në Kodin Penal më 1994 (shih paragrafët 20 e 24 të mësipërm), pra përpara veprimit të parë dhunues të kryer nga paditësi kundër bashkëshortes së tij dhe për të cilin ai u njoh fajtor (shih, anasjelltas, vendimin Veeber (nr. 2), të cituar më lart, § 37). Madje, siç e pohon në vërejtjet e tij përpara Gjykatës, paditësi nuk e kundërshton parashikueshmërinë e zbatimit që juridiksionet kombëtare u kanë bërë në rastin e tij rregullave të përcaktuara në nenin 89 § 3.
61. Në bazë të kësaj dispozite, vazhdimi i një vepre penale kuptohej se kishte të bënte me veprime të veçanta të kryera me të njëjtin qëllim, duke përbërë secili prej tyre të njëjtën vepër penale dhe duke paraqitur një lidhje mes tyre sepse ishin ekzekutuar në një mënyrë të njëjtë ose të ngjashme, ishin të afërta në kohë dhe ndiqnin të njëjtin objekt. Nga jurisprudenca e qartë dhe e përhershme e Gjykatës së Lartë (shih paragrafët 25 deri 27 të mësipërm) dhe nga pikëpamjet e shprehura prej doktrinës (shih paragrafin 24 të mësipërm) del se një vepër penale “e vazhduar” përbën një akt të vetëm, cilësimi i të cilit në të drejtën penale çeke vlerësohet me kutin e rregullave në fuqi në atë datë kur përfundon shfaqja e tij e fundit, mjafton që veprimet e kryera në kohën kur sundonin dispozitat e mëparshme juridike të jenë gjithashtu të dënueshme në bazë të këtyre të fundit.
62. Meqenëse veprimet e paditësit përpara datës 1 qershor 2004 përbënin vepra penale që ishin të dënueshme në bazë të neneve 197a ose 221 § 1 të Kodit Penal dhe i bashkonin elementet përbërëse të veprës penale të parashikuar në nenin 215a, Gjykata e pranon se shpallja fajtor e të interesuarit nga juridiksionet e brendshme mbi bazën e kësaj dispozite të fundit edhe për veprimet e kryera përpara kësaj date nuk përbënte një zbatim prapaveprues të ligjit penal në dëm të paditësit, të ndaluar nga Konventa. Përveç kësaj, në vendimin e saj të datës 10 qershor 2008, Gjykata Kushtetuese ka gjykuar se vendimet e dhëna nga gjykatat kombëtare në çështjen në fjalë ishin logjike dhe koherente dhe se ato nuk kishin sjellë asnjë efekt prapaveprues të ndaluar nga Kushtetuta. Gjykata nuk dallon asgjë që të jetë me natyrë të tillë që ta shtyjë atë për të qenë e mendimit se ky vlerësim kishte të metën e ndonjë paparishikueshmërie të ndaluar nga neni 7 i Konventës.
63. Duke pasur parasysh rrethanat si edhe qartësinë e formulimit të rregullave kombëtare përkatëse, të saktësuara edhe më tej nga interpretimi i juridiksioneve kombëtare, Gjykata çmon se duke mos hequr dorë nga veprimet e tij pas 1 qershorit 2004, datë e futjes në Kodin Penal të veprës së keqtrajtimit ndaj një personi që jeton nën të njëjtën strehë, paditësi mundte dhe duhej ta priste, në rast nevoje pasi të kishte marrë këshilla të përshtatshme juridike, që të gjykohej për një vepër penale të vazhduar, të vlerësuar sipas dispozitës ligjore në fuqi në datën e shfaqjes së saj të fundit, konkretisht nenit 215a të Kodit Penal. Ajo nuk sheh asnjë arsye për ta vënë në dyshim që paditësi ishte në gjendje të parashikonte, për sa i përket jo vetëm periudhës pas hyrjes në fuqi të kësaj dispozite më 1 qershor 2004 por edhe periudhës që shkonte nga viti 2000 deri në këtë datë të fundit, se ai mund të ngarkohej me përgjegjësi penale për veprën e vazhduar të sipërpërmendur, dhe ta ndreqte sjelljen e tij duke i marrë parasysh pasojat (shih, mutatis mutandis, Streletz, Kessler e Krenz, të cituar më lart, § 82, dhe Achour k. Francës [DhM], nr. 67335/01, §§ 52-53, GjEDNj 2006‑IV).
64. Në këto kushte, Gjykata është e bindur jo vetëm se vepra penale për të cilën paditësi është njohur fajtor kishte një bazë “në çastin kur ajo është kryer (...) sipas së drejtës kombëtare” përkatëse, por edhe se kjo e drejtë e përkufizonte këtë vepër penale me qartësi të mjaftueshme për ta përmbushur kërkesën cilësore të parashikueshmërisë e cila rrjedh nga kuptimi autonom që merr nocioni “e drejtë” që figuron në nenin 7 të Konventës.
b) A ishte më i rreptë dënimi i dhënë ndaj paditësit mbi bazën e nenit 215a?
65. Nga ana tjetër, Gjykata nuk ka sesi ta pranojë tezën e paditësit se dhënia nga juridiksionet kombëtare e një dënimi të mbështetur në nenin 215a edhe për arsye të veprimeve të kryera përpara 1 qershorit 2004 ka çuar në rëndimin e dënimit që do të ishte dhënë përndryshe.
66. Ashtu siç është vënë tashmë në dukje më sipër, duke pasur parasysh arsyetimin e ndjekur nga juridiksionet e brendshme, e veçanërisht atë të përqafuar nga Gjykata e Lartë në vendimin e saj të datës 21 shkurt 2008, mund të dilet në përfundimin se të gjitha elementet përbërëse të veprës së parashikuar në nenin 215a §§ 1 e 2b) të Kodit Penal ishin mbledhur edhe në lidhje me veprimet e kryera nga paditësi përpara hyrjes në fuqi të kësaj dispozite më 1 qershor 2004. Për më tepër, gjykatat e kanë thënë shprehimisht se këto veprime do të kishin qenë të dënueshme në bazë të ligjit të mëparshëm.
67. Asgjë nuk tregon që arsyetimi i sipërpërmendur i gjykatave të brendshme të ketë pasur si pasojë të disfavorshme për paditësin që ta ketë rënduar dënimin e tij (shih, anasjelltas, Veeber (nr. 2), të cituar më lart, § 36). Përkundrazi, sikur veprimet e kryera prej tij përpara 1 qershorit 2004 dhe ato pas kësaj date të ishin vlerësuar veç e veç, rregulli përkatës i caktimit të dënimeve i parashtruar në nenin 35 § 1 të Kodit Penal do të kishte sjellë një përcaktim të dënimit mbi bazën e dispozitës ligjore që parashikonte më të rëndën nga këto vepra penale, konkretisht të nenit 215a të Kodit Penal. Siç e vë në dukje Qeveria, paditësit do t’i ishte dhënë atëherë një dënim i cili nuk mund të ishte më i vogël sesa ai i dhënë të realitet e që mund të kishte qenë madje më i rëndë, meqenëse ekzistenca e një shumësie veprash penale do të ishte quajtur sipas gjithë gjasave si një rrethanë rënduese në bazë të nenit 34k të Kodit Penal.
68. Gjykata nuk bindet as nga teza e paditësit se sikur veprimet dhunuese të kryera prej tij të ishin vlerësuar veç e veç, dy prej tyre (sipas të gjitha gjasave, ato të kryera më 24 qershor 2000 dhe më 17 korrik 2003) do të ishin parashkruar. Neni 67 § 1 d) i Kodit Penal parashikonte një afat parashkrimi prej tre vjetësh për çdo vepër penale të dënueshme me burgim për më pak se tre vjet në maksimum. Për këtë arsye, edhe sikur paditësi të ishte ndjekur penalisht vetëm për tre ngjarjet e vëna në dukje nga juridiksionet kombëtare, ai mund të ishte gjykuar gjithsesi të paktën për dhunimin e kryer më 17 korrik 2003, i cili i nënshtrohej ligjit të vjetër, dhe për atë të kryer më 8 shkurt 2006, që i takonte ligjit të ri.
69. Duke pasur parasysh çka paraprin më lart, Gjykata është e bindur se vlerësimi në këndvështrimin e ligjit të ri i veprimeve të kryera përpara hyrjes në fuqi të këtij të fundit nuk ka sjellë caktim të ndonjë ndëshkimi të disfavorshëm për paditësin. Në fakt, këtij të fundit i është dhënë vetëm një dënim i cili mund t’i jepej atij gjithsesi për arsye të veprimeve të kryera prej tij pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri (shih paragrafin 37 të mësipërm dhe, a contrario, Maktouf e Damjanović, të cituar më lart, § 70).
c) Përfundim
70. Elementet e mësipërme i mjaftojnë Gjykatës për të dalë në përfundimin se dënimi që i është dhënë paditësit, të njohur fajtor për veprën penale të vazhduar të keqtrajtimit ndaj një personi që jetonte nën të njëjtën strehë me të, ishte i zbatueshëm në datën kur kjo vepër quhej se kishte përfunduar, në përputhje me një “të drejtë” e cila ishte e parashikueshme për sa u takon efekteve të saj. Ligji penal nuk është zbatuar në mënyrë prapavepruese dhe paditësi nuk u është nënshtruar rregullave për caktim dënimesh më të ashpra sesa ato që do të kishin qenë të zbatueshme në qoftë se ai do të ishte gjykuar për disa vepra penale veç e veç.
71. Gjykata është e mendimit se arsyetimi i ndjekur nga juridiksionet çeke në çështjen në fjalë është në përputhje me objektin e me qëllimin e nenit 7 të Konventës, i cili është që të kujdeset që askush të mos bëhet objekt ndjekjesh, dënimesh apo masash ndëshkimore arbitrare (shih paragrafin 50 të mësipërm). Përveç kësaj, duke e përforcuar mekanizmin juridik kombëtar për mbrojtje kundër akteve të dhunës në familje – ku ato të kryera ndaj grave mbeten veçanërisht shqetësuese në shoqëritë e sotme evropiane (shih paragrafin 38 të mësipërm dhe Opuz k. Turqisë, nr. 33401/02, GjEDNj 2009) –, ky arsyetim përputhet gjithashtu edhe me objektivat themelorë të Konventës, vetë thelbi i të cilëve është respektimi i dinjitetit dhe i lirisë së njerëzve (shih, mutatis mutandis, C.R. k. Mbretërisë së Bashkuar, 22 nëntor 1995, § 42, seria A nr. 335‑C).
72. Për të mbërritur në përfundimet e mësipërme, Gjykata e ka shqyrtuar në këndvështrimin e nenit 7 të Konventës zbatimin, në rastin e paditësit, të nocionit të vazhdimit të veprës penale të keqtrajtimit ndaj një personi që jeton nën të njëjtën strehë, ashtu siç sanksionohet ai nga e drejta çeke. Për krahasim, është me vend që të shënohet në këtë kontekst se nocioni i veprës penale të vazhduar, ashtu siç përcaktohet ai nga e drejta çeke, përputhet me traditën evropiane që pasqyrohet në legjislacionet kombëtare të shumicës së gjerë të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës (shih paragrafët 31 e 33 të mësipërm) dhe se, për këtë arsye, situata lidhur me pikën e parashikueshmërisë që është shtruar në këtë çështje nuk duket fort e ndryshme nga ajo që ka të bëjë me veprat penale të të njëjtit lloj të parashikuara në sistemet juridike kombëtare të shteteve të tjera palë në Konventë. Siç del nga përshkrimi i veprimeve të paditësit që kanë dhënë autoritetet e brendshme, ato drejtoheshin kundër një viktime të caktuar, konkretisht bashkëshortes së tij, dhe në veçanti kundër atyre pasurive juridike që përbënin për të tërësia e saj fizike dhe mendore, si edhe nderi i saj. Është gjithashtu e qartë se mënyra e veprimit ishte po e njëjta: dhunimet kryheshin nën të njëjtën strehë, kishte një lidhje afërsie në kohë ndërmjet ngjarjeve të ndryshme, të cilat janë shtrirë në një periudhë disavjeçare, ku secili nga veprimet e kryera gjatë kësaj periudhe bëhej për të njëjtin qëllim kriminal dhe secili prej tyre ishte në kundërshtim me të drejtën penale. Me fjalë të tjera, vepra penale për të cilën është njohur fajtor paditësi ka disa karakteristika të përbashkëta me vepra të tjera penale të këtij lloji që ekzistojnë në gjirin e rrethit të Shteteve Kontraktuese, ashtu sikurse edhe zgjidhja e sistemit gjyqësor penal çek që, në raste si ai i çështjes në fjalë, jep dënim vetëm për një vepër penale, është përqafuar gjithashtu në Shtete të tjera Kontraktuese (shih paragrafët 33 deri 37 të mësipërm).
73. Me një fjalë, nuk ka pasur shkelje të nenit 7 të Konventës.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, NJËZËRI,
Thotë se nuk ka pasur shkelje të nenit 7 të Konventës.
I hartuar në frëngjisht dhe në anglisht, pastaj i shpallur me shkrim më 27 janar 2015.
Michael O’BoyleDean Spielmann
Zëvendëssekretar Kryetar
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të Rregullores, paraqitja e mendimeve më vete të mëposhtme:
– mendim pajtues i gjyqtares Ziemele;
– mendim pajtues i gjyqtarit Pinto de Albuquerque.
D.S.
M.O’B.
Mendimet më vete nuk janë përkthyer, por janë në anglisht dhe/ose në frëngjisht në variant(in/et) e vendimit në gjuhë zyrtare dhe mund të shihen bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy