Roman Zakharov kundër Rusisë - 47143/06 Vendimi 4.12.2015 (GC) Fakte – Kërkuesi, i cili ishte kryeredaktor i një shoqërie publikimesh nisi çështje gjyqësore kundër tre operatorëve të rrjetit celular, duke u ankuar për ndërhyrje në të drejtën e tij të privatësisë së komunikimeve të tij telefonike. Ai pretendoi që në pajtim me ligjin përkatës të brendshëm, operatorët e rrjetit celular kishin instaluar pajisje që lejonin Shërbimin Federal të Sigurisë (SFS) të përgjonin të gjitha komunikimet telefonike pa autorizim paraprak. Ai kërkoi një masë të përkohshme duke urdhëruar heqjen e pajisjes dhe garantimin e aksesit në telekomunikim tu jepej vetëm personave të autorizuar. Gjykata e brendshme refuzuan pretendimin e kërkuesit, duke konstatuar që ai nuk kishte vërtetuar që bisedat e tij telefonike ishin përgjuar dhe që operatorët celularë kishin transmetuar informacion të mbrojtur tek personat e paautorizuar. Instalimi i pajisjes që ai i referohej nuk e cenonte vetë privatësinë e komunikimeve të tij. Në gjykimin në bazë të Konventës, kërkuesi u ankua që sistemi i përgjimit të fshehtë të komunikimeve telefonike në rusi nuk përputheshin me kërkesat e Nenit 8 të Konventës. Më 11 mars 2014, një Dhomë e gjykatës ia kaloi juridiksionit Dhomës së Madhe. Ligji – Neni 8 (a) Statusi i viktimës – Qëndrimi i gjykatës në çështjen Kennedy kundër Mbretërisë së Bashkuar ishte më i përshtatshëm për nevojën e garantimit që fshehtësia e masave të përgjimit të mos rezultojë në masa që efektivisht janë të pakundërshtueshme dhe jashtë mbikëqyrjes së autoriteteve të brendshme gjyqësore dhe Gjykatës. Po ashtu, një kërkues mund të pretendojë të jetë viktima e një shkeljeje të shkaktuar nga thjesht ekzistenca e masave përgjuese të fshehta ose legjislacioni që lejon këto masa, nëse përmbushen kushtet e mëposhtme: (i) Objekti i legjislacionit – Gjykata do të marrë parasysh objektin e legjislacionit që lejon masat e përgjimit të fshehtë duke shqyrtuar nëse kërkuesi mund të ndikohet eventualisht prej tij, qoftë për shkak se ai ose ajo i përket një grupi personash që synohet nga legjislacioni i kundërshtuar ose për shkak se legjislacioni prek drejtpërdrejt të gjithë përdoruesit e shërbimeve të komunikimit duke filluar një sistem ku çdo personi mund ti përgjohet komunikimi i tij. (ii) Disponibiliteti i mjeteve të mbrojtjes në nivel të brendshëm – Gjykata do të marrë parasysh disponibilitetin e mjeteve në nivel të brendshëm dhe do të përshtatë shkallën e shqyrtimit në varësi të efektivitetit të këtyre mjeteve. Nëse sistemi i brendshëm nuk ofron një mjet të efektshëm mbrojtjeje, dyshimi dhe shqetësimi i përhapur në publikun e gjerë që kompetencat e përgjimit të fshehtë po abuzohen nuk mund të konsiderohet i pajustifikuar. Në këto rrethana, rreziku i përgjimit mund të pretendohet që ai kufizon komunikimin e lirë nëpërmjet shërbimeve postare dhe të telekomunikimeve, duke përbërë për të gjithë përdoruesit ose përdoruesit potencialë një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në të drejtën e garantuar nga Neni 8. Kështu, ka një nevojë më të madhe për shqyrtim nga Gjykata dhe justifikohet përjashtimi nga rregulli që u mohon individëve të drejtën për të kundërshtuar një ligj in abstracto. Në këto raste, individi nuk duhet të demonstrojë ekzistencën e një risku që masat e përgjimit të fshehtë janë zbatuar për të. Nga ana tjetër, nëse sistemi i brendshëm parashikon mjete të efektshme, është më e vështirë të justifikohet një dyshim i gjerë për abuzim. Në këto raste, individi mund të pretendojë se është viktimë e një shkeljeje të shkaktuar nga thjesht ekzistenca e masave të fshehta ose e legjislacionit që lejon masat e fshehta, vetëm nëse ai është në gjendje të tregojë që, për shkak të situatës së tij personale, ai është potencialisht i rrezikuar tu nënshtrohet këtyre masave. Në këtë rast, legjislacioni i i kundërshtuar ka ndikuar drejtpërdrejt të gjithë përdoruesit e shërbimeve të telefonisë celulare, meqenëse ai ka vendosur një sistem mbikëqyrjeje të fshehtë nën të cilin çdo personi që përdor shërbimet e telefonisë celulare të ofruesve vendorë mund ti përgjohen komunikimet në telefoninë celulare, edhe pa u njoftuar asnjëherë për përgjimin. Për më tepër, ligji i brendshëm nuk parashikon mjete mbrojtje të efektshme për personat që dyshojnë se i janë nënshkruar përgjimit të fshehtë. Një shqyrtim i legjislacionit përkatës in abstracto është i justifikuar. Kërkuesit nuk i duhej të demonstronte që për shkak të situatës së tij personale ai kishte qenë në rrezik të nënshtrimit ndaj masës së përgjimit të fshehtë. Në këtë mënyrë ai kishte të drejtë të pretendonte të ishte viktima e shkeljes së Konventës. Përfundim: kundërshtimi paraprak rrëzohet (unanimisht). (b) Themeli – Thjesht ekzistenca e legjislacionit të kundërshtuar sillte si rezultat një ndërhyrje në ushtrimi e së drejtave të kërkuesit sipas nenit 8. Përgjimi i komunikimeve në telefoninë celulare kishte bazë në ligjin e brendshëm dhe ndiqte qëllimin e ligjshëm të mbrojtjes së sigurisë kombëtare dhe sigurisë publike, parandalimit të krimit dhe mbrojtjes së mirëqenies ekonomike të vendit. Mbetej të konfirmohej nëse ligji i brendshëm ishte i aksesueshëm dhe përmbante garanci të përshtatshme dhe efektive dhe garantonte përmbushjen e kërkesave të “parashikueshmërisë” dhe “domosdoshmërisë në një shoqëri demokratike”. (i) Aksesibiliteti – Ishte e përbashkët që pothuaj të gjitha dispozitat ligjore të brendshme që rregullonin përgjimin e fshehtë ishin publikuar zyrtarisht dhe ishin të aksesueshme nga publiku. Megjithëse ka patur mosmarrëveshje në lidhje me aksesibilitetin e dispozitave të tjera, Gjykata vuri re që ato ishin publikuar në një revistë zyrtare ministeriale dhe mund të aksesoheshin nëpërmjet një baze të dhënash ligjore në internet, dhe në këtë mënyrë nuk e pa të arsyeshme të ndiqte më tej këtë çështje. (ii) Objekti i zbatimit të masave të mbikëqyrjes së fshehtë – Natyra e veprave penale që mund të bëhet shkak për një urdhër përgjimi ishte e qartë në masë të mjaftueshme. Megjithatë, ishte një çështje shqetësimi që ligji i brendshëm lejonte përgjimin e fshehtë të komunikimit në lidhje me një gamë të gjerë veprash penale. Për më tepër, përgjimi mund të urdhërohej jo vetëm në lidhje me një të dyshuar apo të akuzuar, por edhe në lidhje me personat që mund të kenë dijeni në lidhje me një vepër penale. Ndërsa Gjykata ka vënë re në një çështje të mëparshme që masat e përgjimit në lidhje m enjë person as ka informacion për një vepër penale mund të justifikohet sipas Nenit 8, ajo vuri re që në këtë rast ligji i brendshëm nuk sqaronte se kush mund të përfshihet në këtë kategori në praktikë. Ligji nuk jepte as ndonjë indicie për rrethanat në të cilat mund të përgjohet komunikimi për shkak të ngjarjeve ose aktiviteteve që rrezikonin sigurinë kombëtare, ushtarake, ekonomike ose ekologjike të Rusisë. Në vend të kësaj, ai u linte autoriteteve një diskrecion pothuaj të pakufizuar për të përcaktuar cilat ngjarje apo veprime përbënin një kërcënim të tillë dhe nëse kërcënimi ishte mjaft serioz për të justifikuar përgjimin. Kjo krijonte mundësi për abuzime. (III) Kohëzgjatja e masave të mbikëqyrjes së fshehtë – Ndërsa ligji i brendshëm përmbante rregulla të qarta për kohëzgjatjen dhe rinovimin e përgjimeve duke parashikuar garanci të përshtatshme kundër abuzimit, dispozitat përkatëse për ndërprerjen e masave të përgjimit nuk jepnin garanci të mjaftueshme ndaj ndërhyrjes arbitrare. (iv) Procedurat, ndërmjet të tjerash, për ruajtjen dhe asgjësimin e të dhënave të përgjuara – Ligji i brendshëm përmbante rregulla të qarta që rregullon ruajtjen, përdorimin dhe komunikimin e të dhënave të përgjuara, duke e bërë të mundur minimizimin e riskut të aksesit ose deklarimit ë paautorizuar. Megjithatë, megjithëse gjykata e konsideroi të arsyeshme afatin kohor gjashtë-mujor të zbatueshëm për ruajtjen e materialit të përgjuar, nëse personi përkatës nuk akuzohet për një vepër penale, ajo ndjeu keqardhje për mungesën e një kërkese për asgjësimin e menjëhershëm të çdo të dhëne që nuk janë relevante për qëllimin për të cilinë janë marrë (1. Iordachi dhe Të tjerë kundër Moldavisë, 25198/02, 10 shkurt 2009, Shënim Informativ 116. Ruajtja automatike për gjashtë muaj e të dhënave qartësisht jo- relevante nuk mund të konsiderohet e justifikuar sipas Nenit 8. Për më tepër, në rastet kur personi nën përgjim akuzohej për një vepër penale, gjyqtari i çështjes kishte diskrecion të pakufizuar sipas ligjit të brendshëm për të vendosur nëse duhet të urdhërohet ruajtja e mëtejshme apo asgjësimi i materialit të përgjuar të përdorur si provë. Qytetarët e zakonshëm nuk kishin asnjë indicie në lidhje me rrethanat në të cilat mund të ruhej materiali i përgjuar. Ligji i brendshëm nuk ishte i qartë në këtë pikë. (v) Autorizimi i përgjimeve – Në lidhje me procedurat e autorizimit, çdo përgjim i telefonit ose një komunikimi tjetër duhej të autorizohej nga gjykata. Megjithatë, shqyrtimi gjyqësor ishte i kufizuar në objekt. Veçanërisht, materialet që përmbanin informacione në lidhje me agjentet e fshehtë ose informatorët e policisë ose në lidhje me organizimin e taktikave të masave të kërkimeve operacionale nuk mund ti paraqiteshin gjyqtarit dhe përjashtoheshin nga objekti i rishikimit të gjykatës. Kështu, mosdeklarimi i informacionit përkatës gjykatave u hiqte atyre kompetencën për të vlerësuar nëse ka patur bazë faktike të mjaftueshme për të dyshuar personat në lidhje me të cilët janë kërkuar masat e kërkimit operacional të një natyre penale ose t aktiviteteve që rrezikojnë sigurinë kombëtare, ushtarake, ekonomike ose ekologjike. Vërtet që gjyqtarët rusë nuk ishin udhëzuar të verifikonin ekzistencën e ‘dyshimit të arsyeshëm’ ndaj një personi përkatëse ose të zbatimin testet e ‘domosdoshmërisë’ ose të ‘proporcionalitetit’. Përveç kësaj, ligji i brendshëm përkatës nuk përmbante kërkesa në lidhje me përmbajtjen e kërkesave ose autorizimeve të përgjimeve. Si rezultat, gjykatat ndonjëherë autorizonin përgjimin e të gjitha komunikimeve telefonike në një zonë ku ishte kryer një vepër penale, pa përmendur ndonjë person ose numër telefoni specifik. Disa autorizime nuk përmendnin kohëzgjatjen për të cilën ishte autorizuar përgjimi. Këto autorizime jepnin një diskrecion tepër të gjerë për autoritetet ligj-zbatuese se cilat komunikime duheshin përgjuar dhe për sa kohë. Për më tepër, në raste urgjente, ishte e mundur të përgjoheshin komunikimet pa autorizime paraprake gjyqësore për deri në 48 orë. Megjithatë, procedura urgjente nuk parashikonte garanci të mjaftueshme për të garantuar që ajo përdorej me kursim dhe vetëm në rastet vërtet të justifikuara. Ligji i brendshëm nuk e kufizonte përdorimin e procedurës urgjente në rastet që përfshinin rrezik serioz të menjëhershëm dhe në këtë mënyrë u jepte autoriteteve diskrecion të pakufizuar për të përcaktuar situatat në të cilët përdorej, duke krijuar kështu mundësi për abuzime. Për më tepër, megjithëse sipas ligjit të brendshëm një gjyqtar duhej të informohej menjëherë në lidhje me çdo rast përgjimi urgjent, kompetenca e gjyqtarit ishte e kufizuar në autorizimin e zgjatjes së masës së përgjimit tej 48 orëve. Ligji rus nuk parashikonte një rishikim gjyqësor të efektshëm të procedurës urgjente. Përfundimisht, procedurat e autorizimit të parashikuara nga ligji rus nuk ishin në gjendje të garantonin që masat e përgjimit të fshehtë nuk ishin urdhëruar në mënyrë të parregullt dhe duke mos u dhënë konsideratën e duhur. Një vështirësi tjetër ishte që autoritetet ligj-zbatuese përgjithësisht nuk kishin ndonjë detyrim sipas ligjit të brendshëm për të treguar autorizimin gjyqësor tek ofruesi i shërbimeve të komunikimit para aksesimit të komunikimeve, ndërsa për pjesën e tyre ofruesit e shërbimeve duhej të instalonin pajisjet që u jepnin autoriteteve akses të drejtpërdrejtë tek të gjitha komunikimet e përdoruesve të telefonisë celulare. Sistemi, në këtë mënyrë, ishte i lehtë për tu abuzuar. (vi) Mbikëqyrja – Ndalimi i caktuar në ligjin e brendshëm për hedhjen ose regjistrimin e përgjimeve e bënte të pamundur për autoritetin mbikëqyrës të zbulonte përgjimet e kryera pa autorizim përkatës gjyqësor. Kombinuar me aftësinë teknike të autoriteteve për të përgjuar komunikimet drejtpërdrejt, kjo dispozitë e bënte çdo masë mbikëqyrëse të papërshtatshme për zbulimin e ndërhyrjeve të paligjshme dhe në këtë mënyrë ishte e paefektshme. Kur përgjimet bëheshin mbi bazën e autorizimit përkatës gjyqësor, mbikëqyrja gjyqësore ishte e kufizuar në fazën fillestare të autorizimit. Mbikëqyrja e mëvonshme i besohej Presidentit, Parlamentit, Qeverisë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe prokurorëve kompetentë të nivelit më të ulët. Ligji i brendshëm nuk parashikonte mënyrën në të cilën mund të parashikonte përgjimet Presidenti, Parlamenti dhe Qeveria. Nuk ka rregullore apo udhëzime praktike që përshkruajnë objektin e rishikimit të tyre, kushtet në të cilat mund të kryhen ose procedurat për rishikimin e masave të mbikëqyrjes ose ndreqjen e shkeljeve. Ndërsa një kuadër ligjor parashikonte, të paktën në teori, mbikëqyrje nga prokurorët, në praktikë nuk ishte në gjendje të parashikonte garanci të përshtatshme dhe efektive ndaj abuzuesit. Veçanërisht: - ka patur dyshime në lidhje me pavarësinë e prokurorëve pasi ata emëroheshin dhe largoheshin nga detyra nga Prokurori i Përgjithshëm pas konsultimit me autoritetet ekzekutive rajonale dhe kishin funksione të mbivendosura pasi ata aprovonin kërkesat për përgjim dhe mbikëqyrnin zbatimin e tyre; - kishte kufij në objektin e përgjimit (prokurorët nuk kishin informacion në lidhje me punën e agjentëve të fshehtë dhe masat e përgjimit në lidhje me kundër-zbulimin nuk ishin nën mbikëqyrjen e tyre pasi personat përkatëse nuk do të ishin në dijeni që po i nënshtroheshin përgjimit dhe në këtë mënyrë nuk ishin në gjendje të bënin ankim); - ka patur kufij për kompetencat e tyre, për shembull, edhe nëse ata mund të merrnin masa për të ndaluar ose korrigjuar shkeljet dhe për t’u kërkuar llogari personave përgjegjës, nuk ka patur dispozitë specifike që të kërkojë asgjësimin e materialit të përftuar në mënyrë të paligjshme; - mbikëqyrja e tyre nuk ishte e hapur për kontrollin dhe informimin e publikut pasi raportet e tyre nuk publikoheshin dhe nuk ishin të akseskueshme për publikun; - Qeveria nuk kishte paraqitur asnjë raport inspektimi apo vendime nga prokurorët që urdhëronin marrjen e masave për të ndaluar ose korrigjuar një shkelje të zbuluar të ligjit. (vii) Njoftimi i përgjimit dhe mjetet mbrojtëse të disponueshme – Personat të cilëve u përgjoheshin komunikimet nuk njoftoheshin. Përveç kur niste çështja penale ndaj personit të përgjuar dhe të dhënat e përgjuara përdoreshin si prova, personi përkatëse nuk dot ë vinte në dijeni të faktit që komunikimet e tij ose të saj ishin përgjuar. Personat që në një farë mënyrë mund ta konstatonin mund të kërkonin informacion në lidhje me të dhënat përkatëse. Megjithatë, me qëllim që të bëhej një kërkesë e tillë ata duhej të ishin në zotërim të fakteve të masave të kërkimeve operacionale të cilave ata u ishin nënshtruar. Aksesi në informacion varej nga aftësia e personit për të provuar një komunikimet e tiji ose të saj ishin përgjuar. Për më tepër, subjektet e përgjuara nuk kishin të drejtë të asksesonin dokumente në lidhje me përgjimin e komunikimeve të tyre: ata në rastin më të mirë mund të kishin të drejtën të kërkonin ‘informacion’ në lidhje me të dhënat e mbledhura. Ky informacion jepej vetëm në rrethana të kufizuara, d.m.th., nëse faji i personit nuk ishte provuar në pajtim me ligjin dhe informacioni nuk përmbante sekrete shtetërore. Meqenëse sipas ligjit rus informacioni në lidhje me mjetet e përdorura në këto aktivitete të kërkimit operacional, metodat e zbatuara, nëpunësit e përfshirë dhe të dhënat e mbledhura përbënin sekret shtetëror, mundësia e marrjes së informacionit në lidhje me përgjimet dukej pa efekt. Mjetet gjyqësore që përmendeshin nga Qeveria u ofroheshin vetëm personave në zotërim të informacionit në lidhje me përgjimin e komunikimeve të tyre. Efektiviteti i tyre minohej nga mungesa e një kërkese për të njoftuar subjektin e përgjimit ose e një mundësie të përshtatshme për të kërkuar informacion në lidhje me përgjimet nga autoritetet. Për pasojë, ligji rus nuk parashikon ndonjë mjet të efektshëm gjyqësor ndaj masave të përgjimit të fshehtë në rastet kur nuk fillon çështja penale ndaj subjektit të përgjuar. Si përfundim, dispozitat ligjore të brendshme që rregullojnë përgjimin e komunikimeve nuk parashikonin garanci të efektshme dhe të përshtatshme ndaj arbitraritetit dhe riskut ë abuzimit. Ligji i brendshëm nuk përmbushte kërkesën e “cilësisë ligjore” dhe nuk ishte në gjendje për të mbajtur ‘ndërhyrjen’ vetëm për atë që është ‘e nevojshme në një shoqëri demokratike”. Përfundimi: shkelje (unanimisht). Neni 41: Konstatimi i një shkeljeje përbënte përmbushje të drejtë dhe të mjaftueshme për çdo dëm jo-financiar
Full & Egal Universal Law Academy